Zbulesa: 1. Zbulesa e Gjonit

1

1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij për t’i vënë në dijeni shërbëtorët e vet lidhur me ato që së shpejti do të ndodhin.

Ai bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin e vet Gjonit, shërbëtorit të vet, 2 i cili dëshmon gjithçka ka parë është fjalë e Hyjit dhe dëshmi e Jezu Krishtit:

3 I lumi ai që i lexon

edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie

dhe zbatojnë ato që janë të shkruara në të.

Sepse, koha e caktuar është afër!

4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi:

paçi hir dhe paqe

prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen

dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij

5 dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës!

Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e vet, 6 që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet,

- Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të shekujve].

Amen

7 Ja, po vjen me re

dhe do ta shohë çdo sy

edhe ata që e shporuan

dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij.

Po! Amen!

8 Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.

Gjoni sheh Krishtin

9 Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos. 10 Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, 11 që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave: në Efes, në Smimë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!«

12 U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë 13 dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës, 14 kokën e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit; 15 këmbët e tij ishin porsi bronzi i lëmuar, i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha; 16 në dorën e djathtë mbante shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli kur ndriçon me plot fuqinë e vet.

17 Kur e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, 18 i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!

19 Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë!

20 Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathën time dhe lidhur me shtatë shandanët e artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shandanët janë shtatë kishat.

Zbulesa: 2. Letra e dërguar Kishës së Efesit

2

1 Engjëlli të Kishës në Efes shkruaji: »Kështu thotë Ai që mban në të djathtën e vet shtatë yjet, Ai që ecën mes shtatë shandanave të artë:

2 I njoh veprat e tua, mundin tënd dhe qëndresën tënde dhe e di se nuk mund t’i durosh të këqijtë. I vure në provë ata që mbahen për apostuj e nuk janë, dhe i gjete gënjeshtarë.

3 Je i qëndrueshëm ke vuajtur për shkak të Emrit tim dhe nuk e bore guximin.

4 Por kam diçka kundër teje: e le dashurinë tënde të parë!

5 Kujtohu, pra, se prej ku re! Kthehu dhe bëji veprat e mëparshme! Përndryshe do të vij te tij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij, nëse nuk kthehesh.

6 Por e ke këtë të mirë: i urren veprat e Nikollaitëve, të cilat i urrej edhe unë.

7 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!

Ngadhënjyesit do t’i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Hyjit!«.

Letra e dërguar Kishës së Smirnës

8 Edhe engjëllit të Kishës në Smirnë, shkruaji: »Kështu thotë i Pari dhe i Fundit, Ai që pati vdekur, por u ngjall:

9 E di vuajtjen tënde dhe varfërinë - por je i pasur - i di edhe fyrjet e atyre që thonë se janë judenj, e nuk janë: janë sinagoga e Satanit!

10 Mos i druaj fare vuajtjet që do t’i pësosh: ja, djalli do të shtijë disa prej jush në burg për t’iu vënë në provë.

Do të gjendeni në vuajtje për dhjetë ditë.

Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të ta jap kezën e jetës.

11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!

Ngadhënjyesin nuk do ta dëmtojë vdekja e dytë!«

Letra e dërguar Kishës së Pergamit

12 Edhe engjëllit të Kishës në Pergam shkruaji: »Kështu thotë Ai që ka shpatën dy tehesh, të mprehtë:

13 ‘E di ku banon: aty ku është froni i Satanit - por qëndroni palëkundshëm në Emrin tim dhe nuk e mohove fenë time as në ditët kur Antipa, dëshmitari im, besniku im, u vra mes jush - aty ku banon Satani.

14 Por kam diçka pak kundër teje: janë disa te ti që e ndjekin mësimin e Balaamit, i cili e udhëzoi Balakun t’u vinte leqe bijve të Izraelit për të ngrënë mishin e flijuar idhujve dhe të jepen pas fëlligështisë.

15 Po ashtu edhe ti ke disa që ndjekin mësimin e Nikollaitëve.

16 Kthehu, pra!

Përndryshe, së shpejti do të vij te ti dhe do t’i luftoj me shpatën e gojës sime.

17 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!

Ngadhënjyesit do t’i jap manën e fshehur, do t’i jap edhe një gur të bardhë dhe mbi gur të shkruar një emër të ri që askush nuk e njeh përveç atij që e merr«.

Letra e drejtuar Kishës së Tiatirës

18 Edhe engjëllit të Kishës në Tiatirë shkruaji: »Kështu thotë Biri i Hyjit - Ai që ka sytë si flaka e zjarrit edhe këmbët në përngjasim të bronzit të lëmuar:

19 ‘I di veprat e tua, dashurinë, fenë, shërbesën dhe qëndresën tënde - edhe veprat e tua të fundit më të shumta se të parat -.

20 Por kam diçka kundër teje: e duron Jezabelën - një grua që thotë për vete se është profeteshë - të mësojë dhe të gënjejë shërbëtorët e mi që të bëjnë fëlligështi dhe të hanë mish të kushtuar idhujve.

21 Unë i dhashë kohë të kthehet, por ajo nuk do të kthehet nga lavirësia e saj.

22 Ja, po e hedh në shtratin e lëngimit, edhe fëlligështarët e saj në vështirësi të madhe, në qoftë se nuk kthehen prej veprave të saj.

23 Fëmijët e saj do t’i ndëshkoj me vdekje dhe të gjitha kishat do ta dinë: unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat - secilin prej jush do ta shpërblej sipas veprave të tij -.

24 Juve ju them: - ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk e ndiqni këtë mësim dhe nuk i njohët kështu të quajturat »thellësi« të Satanit, nuk ju vë tjetër barrrë, 25 por atë që keni: mbajeni mirë derisa të vij!

26 Ngadhënjyesit, atij që deri në fund do t’i kryejë veprat e mia unë do t’i jap pushtet mbi paganë, 27 dhe do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri dhe do t’i thyejë porsi enë argjilore, 28 ashtu sikurse edhe vetë e mora pushtetin prej Atit tim.

Dhe do t’ia jap Yllin e Dritës.

29 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«.

Zbulesa: 3. Letra e drejtuar Kishës së Sardit

3

1 Shkruaji edhe engjëllit të Kishës në Sard: »Kështu thotë Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet: I di veprat e tua: thuhet se jeton, por je i vdekur!

2 Rri zgjuar dhe forcoje tepricën që gati ka vdekur!

Sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosur para Hyjit tim.

3 Të të bjerë në mend, pra, si e ke marrë fjalën dhe e ke dëgjuar, ashtu edhe ruaje - dhe kthehu! Po nuk qëndrove zgjuar, do të vij si vjedhësi dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij kundër teje.

4 Megjithatë i ke në Sard disa njerëz që nuk i përlyen petkat e veta.

Ata do të më përcjellin të veshur me petka të bardha, sepse janë të denjë.

5 Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbajë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij.

6 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave«.

Letra drejtuar Kishës në Filadelfi

7 Edhe engjëllit në Kishën e Filadelfisë shkruaji:

»Kështu thotë Shenjti, i Vërteti.

Ai që ka çelësin e Davidit,

Kur ai çel askush s’mund të mbyllë,

kur ai mbyll askush s’mund të çelë:

8 I di veprat e tua!

Ja, e hapa para teje derën që akush s’mund ta mbyllë.

Njëmend pak fuqi ke dhe megjithatë e ruajte fjalën time dhe nuk i re mohit Emrit tim.

9 Ja, unë do t’i sjell disa nga sinagoga e Satanit - që e mbajnë veten për judenj e nuk janë, por rrejnë - ja, do t’i bie përdhuni para teje për t’u përkulur deri në dhe para teje, që ta marrin vesh se unë të dua.

10 Dhe pasi e mbajte me qëndrueshmëri fjalën time, dhe unë të të ruaj ty nga ora e provës që do të vijë mbi mbarë botën për t’i sprovuar banuesit e tokës.

11 Do të vij së shpejti!

Ruaje mirë çka ke, që askush të mos e rrëmbejë kezën tënde!

12 Ngadhënjyesin do ta bëj shtyllë në tempullin e Hyjit tim dhe prej andej ai s’do të dalë më kurrë!

Në të do ta shkruaj Emrin e Hyjit tim edhe emrin e qytetit të Hyjit tim, të Jerusalemit të ri, që zbret nga qielli, prej Hyjit tim, edhe Emrin tim të ri.

13 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«

Letra e drejtuar Kishës së Laodicesë

14 Shkruaji edhe engjëllit të Kishës në Laodice:

»Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Parimi i krijesës së Hyjit:

15 i di veprat e tua: nuk je as i ftohtë as i nxehtë!

Oh, të ishe i ftohtë ose i nxehtë!

16 Por, pasi je i vakët - as i ftohtë as i nxehtë - do të vjell prej gojës sime!

17 Dhe pasi thua: »Jam i pasur! U bëra pasanik!

Asgjë nuk më mungon!» e, pasi nuk di se je i mjerë, i ngratë, skamnor, i verbër, i zhveshur, 18 po të këshilloj: blej prej meje ar të pastruar në zjarr që të pasurohesh, blej petka të bardha që të vishesh dhe të mos shihet turpi i lakuriqësisë sate; blej edhe barin për të lyer sytë që të shohësh!

19 Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu!

20 Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.

21 Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«

Zbulesa: 4. Pamja e Madhërisë hyjnore

4

1 Pastaj pashë: dhe ja, në qiell një derë e hapur! Edhe zëri që e dëgjova më parë, që fliste me mua si zë trumbete, më tha: »Hip këtu dhe do të të tregoj çka do të ndodhë pas kësaj!«

2 Menjëherë kalova në vegim me anë të Shpirtit Shenjt.

Dhe ja, në qiell ishte froni dhe Dikush ndenjur në fron.

3 Atij që rrinte në fron i shkëlqente fytyra në përngjasim të gurit të paçmueshëm të jaspisit dhe të sardit.

Rreth e reth fronit ylberi që i ngjante smaragdit.

4 Përreth fronit edhe njëzet e katër frone të tjera.

Mbi frone rrinin njëzet e katër udhëheqës të veshur me petka të bardha e në kokë kezat e arta.

5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe rrufe. Para fronit digjeshi shtatë vravashka të ndezura, d. m. th. shtatë shpirtra të Hyjit.

6 Përpara fronit diçka si det qelqi në ngjasim të kristalit.

Në mes të fronit dhe përreth fronit katër Gjallesa plot me sy para dhe pas.

7 Gjallesa e parë i përngjante luanit,

Gjallesa e dytë i përngjante mëzatit,

Gjallesa e tretë kishte fytyrë njeriu dhe Gjallesa e katërt ishte porsi shqiponja në fluturim.

8 Këta katër Gjallesa kishin secila nga gjashtë krahë gjithkah përrreth dhe përbrenda ishin plot me sy.

Ata nuk pushonin ditë as natë duke shpallur:

»Shenjt! Shenjt!

Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm.

Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!«

9 Dhe sa herë që Gjallesat i jepnin lavdi, nder dhe falënderim Atij që rri në fron, të Gjithëpushtetshmit të shekujve, 10 njëzet e katër udhëheqësit bienin përmbys para Atij që rri në fron dhe adhuronin Atë që jeton në shekuj të të shekujve. Ata i ulnin para fronit kezat e veta duke thënë:

11 »I denjë je, o Zot, Hyji ynë, të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin, sepse ti krijove gjithçka dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!«

Zbulesa: 5. Libri i vulosur dhe Qengji

5

1 Atëherë pashë: në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh:

»Kush është i denjë ta hapë librin dhe t’ia zgjidhë vulat?«

3 Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti të çelë librin e të shikojë në të.

4 Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të.

5 Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha:

»Mos qaj! Ja ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës - rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tij«.

6 Atëherë vura re: në mes të fronit dhe të katër Gjallesave, në mes të udhëheqësve, qëndronte - si i prerë - Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë [shtatë] shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.

7 Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron.

8 Kur e mori librin katër Gjallesat e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit.

Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, d. m. th. me lutja të shenjtërve.

9 Këndonin një këngë të re dhe thoshin: »Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t’ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie, 10 dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë«.

11 Atëherë në vegim dëgjova zërin e shumë engjëjve përreth fronit, Gjallesave dhe udhëheqësve.

Ishin dhjetë mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash.

12 Brohorisnin me zë të lartë:

»I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!«

13 Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, - të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: »Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!«

14 Kurse katër Gjallesat thoshin: »Amen!« ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan.

Zbulesa: 6. Vulat

6

1 Atëherë pashë: kur Qengji e hapi të parën nga shtatë vulat, dëgjova njërin nga të katër Gjallesat duke bërtitur me zë si zë bumullime: »Eja!«

2 Shikova dhe pashë: Ja, një kalë i bardhë! Ai që i rrinte në shpinë mbante në dorë harkun. I qe dhuruar një kurorë dhe, si ngadhënjyes, u nis për të ngadhënjyer më tutje.

3 Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova Gjallesën e dytë duke thënë: »Eja!«

4 Dhe doli një kalë tjetër, i kuq si gjaku. Atij që i kërceu në shpinë iu dha pushteti të heqë paqen nga toka, kështu që njerëzit të vrisnin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë të madhe.

5 Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova Gjallesën e tretë duke thënë: »Eja!«

E pashë: Ja, një kalë i zi!

Ai që i kërceu në shpinë, kishte në dorë peshoren.

6 Atëherë dëgjova një zë para katër Gjallesave që thoshte: »Masa e grurit një denar e tri masa elbi një denar, vajin dhe verën as mos e prek!«

7 Kur Qengji e hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e Gjallesës së katërt duke thënë: »Eja!«

8 Shikova e pashë: dhe ja, një kalë verdhuk e ai që ishte në të quhej »Vdekje« dhe e shoqëronte bota e të vdekurve.

Atyre u qe dhënë pushteti mbi të katërtën e tokës: të vrasin me shpatë, me uri, me vdekje dhe me egërsira të dheut.

9 Kur Qengji hapi vulën e pestë, pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë.

10 Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: »Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banorët e tokës?«

11 Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriteshin si ata.

12 E pashë: kur Qengji e hapi vulën e gjashtë, u bë tërmet i madh, dielli u bë i zi porsi thesi i leshit të dhisë dhe e tërë hëna u bë si gjak.

13 Yjet e qiellit ranë mbi tokë, sikurse fiku i hedh kokrrat e veta të papjekura kur e tund era e madhe.

14 Qielli u mbështoll porsi libri kur mbështillet dhe çdo mal e ishull ndërroi vend.

15 Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenj, prijësit e ushtrive, të pasurit dhe të fuqishmit, - dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë - të gjithë u fshehën në shpellat e qetat e maleve 16 e u thoshin maleve dhe qetave: »Bini mbi ne e na mbuloni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, 17 sepse arriti Dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund të qëndrojë përballë?«

Zbulesa: 7. 14. 000 të vulosur nga Izraeli

7

1 Pas këtyre pashë katër engjëj që qëndronin në këmbë në katër këndet e botës. Ata i mbanin katër erërat e dheut, që asnjë erë të mos fryejë as mbi tokë, as mbi det as mbi ndonjë pemë. 2 Pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga Lindja.

Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë.

Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtonin tokën dhe detin:

3 »Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as pemëve derisa t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!«

4 Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, 144. 000 nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit: 5 prej fisit të Judës dymbëdhjetë mijë të vulosur, prej fisit të Rubenit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Gadit dymbëdhjetë mijë, 6 prej fisit të Aserit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Neftalit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Manaseut dymbëdhjetë mijë, 7 prej fisit të Simonit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Levit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Isaharit dymbëdhejtë mijë, 8 prej fisit të Zabulonit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Jozefit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Beniaminit dymbëdhjetë mijë të vulosur.

Një turmë e panumërueshme nga të gjitha kombet

9 Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë.

10 Ata shpallnin me zë të lartë: »Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!«

11 Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallesave, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin.

12 Thoshin: »Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!«

13 Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: »Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?«

14 Unë u përgjigja: »Imzot, ti e di!«

Dhe ai më tha: »Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit.

15 Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet.

16 Më kurrë s’do të kenë uri

më kurrë s’do të kenë etje,

më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij.

17 Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre«.

Zbulesa: 8. Vula e shtatë dhe kemorja e artë

8

1 Kur Qengji e hapi vulën e shtatë në qiell u bë heshtje për rreth një gjysmë ore...

2 Atëherë i pashë shtatë engjëj që qëndrojnë para fytyrës së Hyjit; atyre u qenë dhënë shtatë trumbeta.

3 Dhe ja, një tjetër engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem për ta kushtuar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtërve mbi lterin e artë para fronit.

4 Nga dora e engjëllit tymi erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me lutjet e shenjtërve.

5 Atëherë engjëlli e mori kemoren e mbushi me zjarr nga lteri dhe e zbrazi në tokë. Atëherë shpërthyen rrufe e zëra e vetëtima e tërmet!

Trumbetat

6 Shtatë engjëjt që kishin shtatë trumbetat, u bënë gati të trumbetojnë.

7 I pari i ra trumbetës: mbi tokë ranë breshër e zjarr të përzier me gjak dhe u dogj një e treta e tokës dhe një e treta e pemëve, u dogj mbarë bari i gjelbër.

8 Edhe i dyti engjëll i ra trumbetës dhe diçka, si mal i ndezur zjarr, qe hedhur në det; një e treta e detit u bë gjak, 9 dhe një e treta e krijesave të gjalla që jetojnë në det cofi; e mbaroi edhe një e treta e anijeve.

10 Edhe i treti engjëll i ra trumbetës: nga qielli ra një yll i madh - që digjej si vravashka - ra në një të tretën e lumenjve dhe të burimeve të ujërave.

11 Ylli quhej »Pelin«, dhe një e treta e ujërave u shndërrua në pelin; shumë njerëz vdiqën sepse uji u bë i hidhur.

12 Edhe i katërti engjëll i ra trumbetës: - u plagos një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta pjesë e tyre.

Dita humbi një të tretën e dritës së vet, gjithashtu edhe nata.

13 Atëherë pashë dhe dëgjova: një shqiponjë fluturonte përmes qiellit dhe bërtiste me zë të lartë: »Vaj, vaj, vaj për banuesit e tokës për shkak të plagëve të trumbetave të tre engjëjve që do të trumbetojnë!«

Zbulesa: 9. Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës

9

1 Edhe engjëlli i pestë i ra trumbetës: pashë një yll duke rënë mbi tokë! Atij iu dorëzua çelësi i pusit të Humnerës.

2 Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës, nga pusi doli tym porsi tym i një furre të madhe. Prej tymit të pusit u errësua dielli, gjthashtu edhe ajri.

3 Nga tymi dolën mbi tokë karkaleca, dhe u qe dhënë atyre zotësia si e kanë akrepët e tokës.

4 U qe ndaluar t’i bëjnë farë dëmi barit të tokës, gjelbërimeve e lëndëve , por të dëmtojnë njerëzit që nuk e kanë në ballë vulën e Hyjit.

5 U qe lejuar, jo t’i vrasin, por t’i mundojnë për pesë muaj; mundimi është porsi mundimi që jep akrepi kur e ha njeriun.

6 Në ato ditë njerëzit do ta lypin vdekjen e nuk do ta gjejnë.

Dhe të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

7 Karkalecat ishin në ngjasim të kuajve të përgatitur për luftim: në kokë kishin si kurorë ari dhe fytyrat i kishin si njerëzit, 8 flokët porsi flokët e grave, dhëmbët porsi të luanëve.

9 Ishin të ngjeshur pothuajse me hekur, ushtima e krahëve të tyre si ushtima e karrocave të luftës me shumë kuaj kur sulen në luftim.

10 Bishti i tyre në ngjasim të akrepëve, me thimtha; në bisht kishin fuqinë për të munduar njerëzit gjatë pesë muajve.

11 Për mbret kishin engjëllin e Humnerës që hebraisht quhet Abadon e greqisht Apolion.

12 »Vaj-i« i parë kaloi. Ja, po vijnë edhe dy »Vaje« të tjera!

13 Edhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës: atëherë dëgjova një zë që po vinte nga brirët e lterit të artë që është para Hyjit, 14 i cili i thoshte të gjashtit engjëll që kishte trumbetën: »Zgjidhi katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e Madh, në Eufrat!«

15 Dhe qenë zgjidhur katër engjëjt që ishin të gatshëm për atë moment e për atë ditë, për atë muaj e vit, për të vrarë një të tretën e njerëzve.

16 Numri i togave të kalorësve - ua dëgjova numrin - ishte dyqind milionë!

17 Në këtë vegim m’u paraqitën kuajt dhe kalorësit: pancirat i kishin ngjyrë zjarri, vjollce dhe sulfuri. Kokat e kuajve, koka luanësh, gojët e tyre villnin zjarr, tym dhe sulfur.

18 Nga këto tri plagë: zjarr, tym dhe sulfur, që dilnin nga goja e tyre, sharroi një e treta e njerëzve. 19 Sepse kuajt e kanë forcën e tyre në gojën e tyre dhe bishtin e tyre: bishti i tyre u ngjan gjarpërinjve: kanë kokë me të cilën dëmtojnë.

20 Megjithatë, njerëzit që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u kthyen nga veprat e duarve të veta; por vazhduan të adhurojnë djajtë, idhujt e artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë as të ecin. 21 Nuk u kthyen nga vrasjet e veta, as nga shortitë e veta, as nga fëlligështitë e veta, as nga vjedhjet e veta.

Zbulesa: 10. Engjëlli me librin e vocërr

10

1 Pashë edhe një engjëll tjetër të fortë që zbriste nga qielli, i mbështjellë në re, në kokë kishte ylberin, fytyrën e kishte si dielli, kurse këmbët porsi shtylla zjarri.

2 Në dorë mbante një librec libërth të hapur. Këmbën e djathtë e vuri në det e të majtën në tokë, 3 dhe bërtiti me zë të lartë, ashtu si ulërin luani. Kur bërtiti, ushtuan shtatë bubullimat me gjëmët e veta.

4 Pasi shtatë bubullimat i dhanë zërat e vet, desha të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që thoshte: » Mbaje në fshehtësi ç’thanë shtatë bubullimat! Mos shkruaj!«

5 Kurse ai, engjëlli që pashë se qëndroi në det e në tokë, e lartësoi të djathtën e vet drejt qiellit 6 dhe u përbetua me Atë që jeton në shekuj të shekujve, që ka krijuar qiellin dhe gjithçka gjendet në të, tokën dhe gjithçka gjendet në të, detin dhe gjithçka gjendet në të: »Më s’do të ketë kohë, 7 por - në ditët, kur të dëgjohet i shtati engjëll, kur të trumbetojë - do të marrë fund misteri i Hyjit, sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve«.

8 Zëri që dëgjova nga qielli, foli rishtas me mua e tha: »Shko e merre librin e hapur prej dorës së engjëllit që qëndron mbi det dhe mbi tokë«.

9 U afrova dhe e luta engjëllin të ma japë libërthin.

Ai më tha: »Merre dhe haje! Barkun do të ta hidhërojë, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti«.

10 E mora libërthin nga dora e engjëllit dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m’u hidhërua barku.

11 Atëherë më qe thënë: »Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër!«

Zbulesa: 11. Dy dëshmitë

11

1 Atëherë m’u dha një kallam që i ngjante shkopit dhe m’u tha: »Ngrihu dhe mate tempullin e Hyjit, lterin dhe ata që adhurojnë në të!

2 Avllinë që është përjashta tempullit lëre mënjanë dhe mos e mat, sepse ajo iu la paganëve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

3 Unë do të dërgoj dy dëshmitarë të mi, të veshur me petk zie e pendese dhe do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

4 Ata janë dy ullinj dhe dy shandanë që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut.

5 Nëse ndokush do t’u bëjë keq, nga goja e tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre.

Për të vërtetë, nëse ndokush do t’i dëmtojë, do të mbarojë në këtë mënyrë!

6 Këta kanë pushtet ta mbyllin qiellin të mos bjerë shi në ditët kur ata profetizojnë; gjithashtu kanë pushtet ta shndërrojnë ujin në gjak dhe të sjellin mbi dhe çdo plagë, sa herë të duan.

7 Kur ta kryejnë dëshmimin e vet, Egërsira që del nga Humnera, do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.

8 Kufomat e tyre do të rrinë mbi dhe në tregun e qytetit të madh që simbolikisht quhet Sodoma dhe Egjipti, ku edhe Zotëria i tyre qe kryqëzuar.

9 Njerëzit prej të gjithë popujve, prej të gjitha fiseve, prej të gjitha gjuhëve dhe prej të gjitha kombësive do t’i shikojnë kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; nuk do të lejojnë të varrosen kufomat e tyre.

10 Banorët e tokës do të gëzohen dhe do të galdojnë për të keqen e tyre dhe njëri-tjetrit do t’i japin dhurata, sepse këta dy profetë i munduan banorët e tokës.

11 Por pas tri ditësh e gjysmë, shpirti që sjell jetën, i ardhur prej Hyjit, hyri në ta dhe ata u ngrtën në këmbë.

Atëherë një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që i shihnin. .

12 Dëgjuan një zë të madh që prej qiellit u thoshte profetëve: »Ngrituni! Ejani këtu!« Ata përmbi re u ngjitën në qiell në sy të armiqve të vet.

13 Në atë moment ra një tërmet i madh dhe një e dhjeta pjesë e qytetit u rrafshua për dhe e në këtë tërmet sharruan shtatë mijë vetë.

Ata që shpëtuan i mbuloi tmerri dhe i dhanë lavdi Hyjit të qiellit.

14 »Vaj-i« i dytë kaloi.

Dhe ja, »Vaj-i« i tretë po vjen pa vonesë!

Trumbeta e shtatë

15 Edhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës: në qiell jehuan zëra të mëdhenj që thoshin: »U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij!

Dhe do të mbretërojë në shekuj të shekujve!«

16 Atëherë njëzet e katër udhëheqësit që rrinin në fronet e veta para Hyjit, ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin 17 e thanë: »Po të falënderojmë, o Zotëri, Hyj i Gjithëpushtetshëm, ty që je, ty që ishe, sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe dhe e more mbretërimin!

18 Paganët u hidhëruan, por arriti zemërimi yt! Erdhi koha të gjykohen të vdekurit, koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu profetët, për shenjtërit dhe për të gjithë ata që e druajnë Emrin tënd - për të vegjël e të mëdhenj - dhe që të shfarosen ata që e prishin dheun!«

19 Atëheë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtima, gjëmë e rrufe, tërmet dhe breshër i madh!

Zbulesa: 12. Gruaja dhe dragoi

12

1 Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje!

2 Shtatëzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.

3 Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë!           

4 Bishti i tij tërhiqte pas vetes një të tretën e yjeve të qiellit - dhe i rrëzoi për tokë!

Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa të lindte fëmijën, t’ia hante.

5 Dhe Ajo lindi fëmijën - një Djalosh - që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri.

Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, 6 kurse Gruaja iku në shkretëtirë ku Hyji i përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

7 Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit.

Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, 8 por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell!

9 Dhe, Dragoi i madh, Gjarpër i vjetër - që quhet Djall - Satani, ngashnjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

11 Por ata e mundën me fuqi të gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk e deshën jetën e vet aq sa ta donin vdekjen.

12 Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë! Vaj për tokën dhe për detin, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet veçse pak kohë!«

13 Kur dragoi pa se qe plandosur në tokë, zuri ta salvojë Gruan që lindi djalin.

14 Por Gruas iu dhanë dy krahë të mëdhenj si të shqiponjës së madhe që të fluturonte në shkretëtirë, në vendin e saj, ku, e fshehur nga Gjarpri, të ushqehej një kohë, dy kohë e një gjysmë kohe.

15 Atëherë Gjarpri volli nga goja ujë, si lumë, përmbas Gruas që ta merrte lumi.

16 Por toka i doli në ndihmë Gruas: toka e hapi gojën e vet dhe e përpiu lumin që Dragoi e lëshoi nga goja e tij.

17 Atëherë Dragoi, i hidhëruar kundër Gruas shkoi e zuri luftë kundër tepricës së pasardhësve të saj, kundër atyre që mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe e ruajnë dëshminë e Jezusit.

18 Dhe u vendos në breg të detit.

Zbulesa: 13. Dy Egërsirat

13

1 Atëherë pashë: një Egërsirë po dilte prej detit. Kishte dhjetë brirë e shtatë kokë. Në brirë kishte dhjetë kurorë, kurse mbi kokë një emër blasfemues.

2 Egërsira që unë pashë i ngjante leopardit; këmbët i kishte si të ariut, kurse goja si gojë luani.

Dragoi ia dha fuqinë e vet, fronin e vet dhe një forcë të madhe.

3 Njërën ndër kokat e kishte të plagosur për vdekje, porse plaga vdekje prurëse iu shërua. Mbarë toka, e mrekulluar, e ndiqte Egërsirën, 4 dhe të gjithë e adhuruan Dragoin që i dha Egërsirës një pushtet të tillë. E adhuruan edhe Egërsirën dhe thoshin: »Kush është si Egërsira!? Kush do të ketë guxim të luftojë kundër saj?«

5 Dhe iu dha goja të flasë fjalë të mëdha e blasfemi dhe iu dha pushteti ta bëjë këtë gjë për dyzet e dy muaj.

6 Ajo e hapi gojën e vet për ta blasfemuar Hyjin, për të blasfemuar Emrin e tij, Tendën e tij dhe ata që banojnë në qiell.

7 Iu dha pushteti të bëjë luftë kundër shenjtërve dhe t’i mundë.

Iu dha pushtet mbi çdo fis, popull gjuhë dhe komb, 8 që ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, ata, emrat e të cilëve nuk u shkruan që prejkrijimit të rruzullit në librin e jetës të Qengjit të flijuar.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!

10 »Kush të jetë për robëri

do të bjerë në robëri;

kush të jetë për t’u prerë me shpatë,

me shpatë do të pritet!«

Në këtë përmbahet qëndresa dhe feja e shenjtërve!

11 Atëherë pashë: një tjetër Egërsirë po dilte nga toka. Kishte dy brirë porsi qengji, por fliste porsi Dragoi.

12 Ajo ushtron tërë pushtetin e Egërsirës së parë në praninë e saj. Ajo bën tokën dhe të gjithë banorët e saj ta adhurojnë përdhuni Egërsirën e parë, të cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.

13 Ajo bën shenja të mëdha: deri edhe zjarrin e bën të ulet nga qielli përmbi tokë ndër sy të njerëzve.

14 Gënjen banorët e tokës me shenja që iu dha pushteti t’i bëjë në prani të Egërsirës, i nxit banorët e tokës të punojnë një trupore në nder të Egërsirës të plagosur me shpatë, por që shpëtoi.

15 Iu dha edhe ta fryjë frymën në truporen e Egërsirës, kështu që ajo trupore të flasë e të vriten të gjithë ata që nuk e adhurojnë truporen e Egërsirës.

16 Bën që të gjithëve - të vegjëlve e të mëdhenjve, të pasurve e skamnorëve, të lirëve e skllevërve - t’u vihet vula në dorën e djathtë ose në ballë, 17 që askush të mos mund të blejë as të shesë përveç atij që mbart mban vulën me emrin e Egërsirës ose me numrin e emrit të saj.

18 Këtu duhet dije! Kush ka mend, le ta llogarisë numrin e Egërsirës! Ai numër është i një njeriu e numri është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë!

Zbulesa: 14. Qengji dhe 144. 000

14

1 Pastaj pashë: Qengji qëndronte mbi malin Sion e me Të njëqind e dyzet e katër mijë që mbanin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e tij dhe Emrin e Atit të tij.

2 Dëgjova një zë që vinte nga qielli porsi ushtima e ujërave të mëdha dhe si gjëma e bumullimës së madhe. Zëri që dëgjova ishte porsi zëri i harpëtarëve që u bien harpave të veta.

3 Këndonin [si] një këngë të re para fronit, para katër Gjallesave dhe para udhëheqësve. Askush s’mund ta mësonte atë këngë përveç atyre njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka.

4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra: vërtet janë të virgjër!

Këta e shoqërojnë Qengjin kudo shkon. Ndër njerëz këta qenë shpërblyer si fryti i parë për Hyjin dhe Qengjin.

5 Në gojën e tyre nuk u gjet gënjeshtër: janë të patëmetë.

Mesazhi i tre engjëjve

6 Atëherë pashë një engjëll tjetër që po fluturonte përmes qiellit.

Kishte për t’u kumtuar Ungjillin e amshuar banorëve të tokës: të çdo kombi, të çdo fisi, të çdo gjuhe dhe të çdo populli.

7 Ai thoshte me zë të madh: »Druajeni Hyjin dhe jepini Atij lavdi, sepse arriti ora e Gjyqit të tij! Adhurojeni Krijuesin e qiellit e të tokës, të detit dhe të buriveve të ujërave!«

8 Pastaj e ndoqi një tjetër engjëll duke thënë: »Ra, ra Babilonia e madhe, që i dehu mbarë kombet me verën e zemërimit dhe të lavirësisë së vet!«

9 Një tjetër engjëll - i treti - i ndoqi ata e bërtiste me zë të madh: »Kushdo e adhuron Egërsirën dhe truporen e saj dhe e merr vulën në ballë apo në dorë, 10 do të pijë verën e zemërimit të Hyjit të pazbutur, të ndikuar në gotën e zemërimit të tij dhe do të hidhet në mundime në zjarr dhe në sulfur ndër sy të engjëjve të shenjtë dhe të Qengjit.

11 Tymi i mundimeve të tyre nuk do të pushojë së ngrituri në shekuj të shekujve, dhe nuk kanë pushim as ditë as natë ata që e adhurojnë Egërsirën dhe truporen e saj dhe kushdo e merr vulën e emrit të saj.

12 Në këtë gjë themelohet qëndresa e shenjtërve që i mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe fenë e Jezusit«.

13 Dëgjova edhe një zë nga qielli që thoshte: »Shkruaj! Që tani, të lumët ata që vdesin në Zotin! Po - thotë Shpirti Shenjt - le të pushojnë prej mundit të tyre!

Sepse i shoqërojnë veprat e tyre!«

Të korrat e tokës

14 Atëherë pata këtë vegim: Një re e bardhë dhe mbi re rrinte Dikush si Biri i njeriut. Në kokë kishte një kezë ari e në dorë një drapër të mprehtë.

15 Ndërkaq nga tempulli doli një engjëll tjetër dhe me zë të fortë i thërriste Atij që rri mbi re: »Godit me drapër dhe korr! Sepse erdhi koha e të korrave: të korrat e tokës u poqën!«

16 Atëherë Ai që rrinte mbi re e hodhi draprin e vet mbi tokë dhe toka u korr.

17 Po edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli i qiellit.

Edhe ai kishte një drapër të mprehtë.

18 Pastaj edhe nga lteri doli një tjetër engjëll. Ky kishte pushtet mbi zjarrin dhe i bërtiti me zë të madh atij që kishte draprin e mprehtë: »Godit me drapër tënd të mprehtë dhe vjeli vilet në vreshtin e tokës, sepse rrushi u poq!«

19 Engjëlli e hodhi draprin e vet në tokë dhe voli vreshtin e tokës. Të vjelat i qiti në vozgën e madhe të zemërimit të Hyjit.

20 Rrushi në vozgë qe shtrydhur përjashta qytetit e nga vozga rrodhi gjaku deri në fre të kuajve, një mijë e gjashtëqind stadje rreth e rreth.

Zbulesa: 15. Engjëjt me plagët e fundit

15

1 Pastaj pashë në qiell një tjetër shenjë, të madhe dhe të mrekullueshme: shtatë engjëj me shtatë plagët e fundit, sepse me to do të marrë fund zemërimi i Hyjit.

2 Pashë gjithashtu diçka si det qelqi të përzier me zjarr.

Në këmbë, në detin qelqor, qëndronin ata që ngadhënjyen mbi Egërsirën, mbi truporen e saj dhe mbi numrin e emrit të saj. Ngadhënjyesit mbanin në dorë harpat e Hyjit.

3 Këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit, dhe këngën e Qengjit: »Të mëdha dhe të madhërueshme janë veprat e tua, o Zot, Hyj, o i Gjithëpushtetshëm! Të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbreti i popujve!

4 Kush të mos të të druajë ty, o Zot, dhe kush të mos e lavdërojë Emrin tënd?!

Ti i vetmi, je Shenjti! Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para Teje, sepse Gjyqet e tua u dëftuan të drejta!«

5 E atëherë pashë: U hap tempulli i Tendës së Dëshmisë në qiell!

6 Prej tempullit dolën shtatë engjëjt që mbanin shtatë plagët: ishin të veshur me li të pastër dhe të shndritshëm, të ngjeshur përreth parzmës me brez ari.

7 Njëra nga katër Gjallesat u dha shtatë engjëjve shtatë gota ari të mbushura me hidhërimin e Hyjit që jeton në shekuj të shekujve.

8 Tempulli u mbush me tymin e Lavdisë së Hyjit dhe të pushtetit të tij, dhe askush s’mund të hynte në tempull derisa të merrnin fund shtatë plagët e shtatë engjëjve.

Zbulesa: 16. Shtatë gotat e hidhërimit të Hyjit

16

1 Atëherë dëgjova një zë të fortë që, nga tempulli, u thoshte shtatë engjëjve: »Dilni e zbrazni mbi tokë shtatë gotat e hidhërimit të Hyjit!«

2 Shkoi i pari dhe e zbrazi gotën e vet mbi tokë: një çiban i keq, i tmerrshëm u doli të gjthë njerëzve që kishin vulën e Egërsirës dhe që adhuronin truporen e saj.

3 Edhe engjëlli i dytë e zbrazi gotën e vet mbi det: deti u bë si gjaku i të vdekurit dhe çdo gjallesë në det cofi.

4 Edhe i treti engjëll e zbrazi gotën e vet në lumenj dhe në burimet e ujërave: edhe ato u bënë gjak.

5 Atëherë dëgjova engjëllin, mbikëqyrësin e ujërave, duke thënë: »Je i drejtë Ti që je e Ti që ishe, o Shenjti vetë, pse me të drejtë vendose kështu, 6 sepse ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve! Tani u jep të pijnë gjak! E kanë merituar!«

7 Dhe dëgjova lterin duke thënë: »Po, o Zot, Hyj i gjithëpushtetshëm, gjyqet e tua janë të drejta dhe të vërteta!«

8 Edhe engjëlli i katërt e zbrazi gotën e vet mbi diell: diellit iu dha pushteti t’i djegë njerëzit me zjarr.

9 Njerëzit qenë përvëluar nga nxehtësia e madhe, shanin Emrin e Hyjit që ka pushtet mbi këto plagë; e nuk u kthyen për t’i dhënë Atij lavdi.

10 Edhe i pesti e zbrazi gotën e vet mbi fronin e Egërsirës: mbretërinë e saj e mbuluan errësirat, njerëzit prej vështirësish hanin gjuhën e vet, 11 e shanin Hyjin e qiellit për arsye të mundiveve që hiqnin, për shkak të çibanëve të vet; por nuk u kthyen nga veprat e veta.

12 Edhe engjëlli i gjashtë e zbrazi gotën e vet mbi Eufratin, lumin e madh: uji u shter për t’u hapur udhën mbretërve të Lindjes.

13 Atëherë pashë: nga goja e Dragoit, nga goja e Egërsirës dhe nga goja e Profetit të rrejshëm dilnin tre shpirta të ndytë - si bretkosa.

14 Këta, në të vërtetë, janë shpritra djajsh që bëjnë shenja të çuditshme.

Shkuan të bashkojnë në luftë mbretërit e mbarë botës, për Ditën e madhe të Hyjit të gjithëpushtetshëm.

15 Ja, po vij si vjen vjedhësi! I lumi ai që rri zgjuar dhe i ruan petkat e veta që të mos ecë zhveshur dhe të mos i shihet trupi!

16 Dhe i bashkuan në një vend që hebraisht quhet »Harmagedon«.

17 Edhe i shtati engjëll e zbrazi gotën e vet në ajër. Atëherë nga tempulli, prej fronit, doli një zë i madh që thoshte: »U krye«.

18 E vetëtoi, e bubulloi, e ranë rrufe, e ra tërmet i madh, aq madh sa që një tërmet i tillë nuk qe që kur njeriu u duk përmbi tokë - kaq i madh qe ai tërmet!

19 Qyteti i madh plasi në tri pjesë e qytetet pagane u rrafshuan për dhe.

Atëherë Hyjit i ra ndër mend për Babiloninë e madhe për t’i dhënë të pijë nga gota e verës së hidhërimit plot zemërim hyjnor.

20 U zhduk çdo ujdhesë, mal më kund s’u pa 21 e mbi njerëz nga qielli ra breshër i madh sa talenti! Njerëzit e shanin Hyjin për shkak të plagës së breshërit, sepse vërtet ishte një plagë e rëndë.

Zbulesa: 17. Lavirja e madhe dhe Egërsira

17

1 Atëherë njëri nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë gotat, m’u afrua dhe më tha: »Eja e do të të dëftoj Gjyqin kundër Lavires së madhe që rri mbi ujërat e mëdha, 2 me të cilën bënë fëlligështi mbretërit e tokës dhe u dehën me verën e fëlligështisë së saj banorët e dheut«.

3 Në vegim më çoi në shkretëtirë. Pashë një Grua që rrinte kaluar mbi Egërsirën e kuqe, që është plot me emra blasfemie, me shtatë kokë dhe me dhjetë brirë.

4 Gruaja ishte e veshur me purpur e me petk të kuq si gjaku, e ngrirë në ar, me gur të paçmueshëm e me perla. Në dorë kishte një gotë ari plot me kobësi dhe me ndyrësi të fëlligështisë së vet.

5 Në ballë kishte të shkruar emrin - mister: »Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e të gjitha kobësive të botës!«

6 Pastaj pashë: Gruaja ishte e dehur me gjak të shenjtërve dhe me gjak të dëshmitarëve të Jezusit. Kur e pashë, mbeta shtang nga habia e madhe.

7 Por engjëlli më tha: »Pse po çuditesh? Unë do të ta tregoj misterin e kësaj Gruaje dhe të Egërsirës që e mbart në shpinë, të Egërsirës që ka shtatë kokë e dhjetë brirë.

8 Egërsira që pe, ishte e më nuk është; ajo do të ngrihet nga Humnera dhe do të mbarojë. Dhe do të habiten mbarë banorët e tokës - ata, emrat të cilëve që në krijimin e botës nuk u shkruan në librin e jetës - kur të shohin se Egërsira ishte dhe nuk është më, dhe prapë është aty.

9 Këtu lypet mendje e hollë, o ti që ke dijen! Shtatë kokët janë shtatë kodrat ku rri Gruaja; janë gjithashtu edhe shtatë mbretër: 10 pesë ranë, njëri është, kurse një tjetër ende s’erdhi, por, kur të vijë, do të qëndrojë pak kohë.

11 Po edhe Egërsira që ishte e nuk është, edhe ajo është i teti mbret, është një në numrin e të shtatëve dhe shkon në humbje.

12 Po edhe dhjetë brirët që ti pe, janë dhjetë mbretër që ende nuk e kanë marrë mbretërinë, por do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me Egërsirën. 13 Nuk kanë veçse një qëllim: ta vënë në shërbim të Egërsirës pushtetin e vet dhe fuqinë.

14 Ata do të bëjnë luftë me Qengjin - por Qengji do t’i mundë, sepse Ai është Zotëria i zotërinjve dhe Mbreti i mbretërve. Bashkë me Të do të ngadhënjejnë edhe të grishurit, të zgjedhurit, besimtarët«.

15 Pastaj më tha: »Ujërat që pe, mbi të cilat rri Lavirja, janë popujt, turmat, paganët, gjuhët.

16 Kurse dhjetë brirët që pe dhe Egërsira, do ta urrejnë Laviren, do ta shkretojnë dhe do ta zhveshin, do t’ia hanë mishin dhe do ta djegin në zjarr, 17 sepse Hyji ua mbushi mendjen ta çojnë në vend synimin e tij, një synim të vetëm: ta vënë mbretërinë e tyre në shërbim të Egërsirës derisa të plotësohen fjalët e Hyjit.

18 Gruaja që pe, paraqet qytetin e madh që mbretëron mbi mbretërit e dheut«.

Zbulesa: 18. Rënia e Babilonisë

18

1 Pastaj thashë: një tjetër engjëll po zbiste nga qielli dhe kishte pushtet të madh dhe mbarë toka shndriti prej shkëlqimit të tij.

2 Ai bërtiti me një zë të fortë: »Ra, ra Babilonia e madhe! U bë banesë e djajve, strofull shpirtrash të ndytë, i të gjithë shpendëve të ndytë e të urrejtur, 3 sepse me verën e hidhërimit të fëlligështisë së saj u dehën popujt mbarë, me të bënë fëlligështi mbarë mbretërit e tokës dhe prej luksit të pamasë të saj u pasuruan tregtarët e botës«.

4 Dëgjova edhe një tjetër zë nga qielli, që thoshte: »Dilni prej saj, populli im që të mos bëheni pjesëtarë në mëkatet e saj, të mos ju gjejnë të këqijat e saj!

5 Sepse, mëkatet e saj arritën deri në qiell dhe Hyjit i ranë në mend padrejtësitë e saj.

6 Hakmerruni dhe gjë mos i lini mangut, shpaguajani dyfish sipas veprave të saj, në gotën që ajo ju ndikonte - dyfish ndikoni!

7 Sa ajo u mbulua me lumturi dhe luks, aq kthejani ju me mundime e me dhimbje! Sepse ajo thoshte në zemrën e vet: ‘Rri në fron si mbretëreshë dhe askurrë s’do të mbetem e vejë, kurrë nuk do të sprovoj ç’është vuajtja!’

8 Prandaj në të njëjtën ditë do të vijnë mbi të plagët: vdekja, e vaji, e zia e bukës, dhe krejtësisht do të digjet në zjarr. Sepse i fuqishëm është Zoti, Hyji, Gjykatësi i saj!

9 Mbi të do të qajnë dhe do të vajtojnë mbretërit e dheut që me të bënë fëlligështi dhe jetuan në qejfe, kur do ta shohin tymin e zjarrit të saj.

10 Duke ndenjur larg nga frika e vuajtjeve të saj do të qajnë: »Vaj, vaj qyteti i madh! Babiloni, qytet i fortë! Të doli mjaft një çast për të të gjetur dënimi!«

11 Po edhe tregtarët e dheut e qajnë dhe e vajtojnë, sepse akush më nuk ua blen tregtinë: 12 as ar, as argjend, as xhevahirë, as perla, as pupur, as mëndafsh, as kadife, as dru erëndshëm, as enë elefanti, as kurrfarë ene druri të çmueshëm, bronzi, hekuri, apo mermeri; 13 as cinamom, as balsam, as erëra të mira, as mirrnë, as kem, as verë as vaj, as miell të bardhë, as grurë; as lopë as dele, as kuaj as qerre, as robër, as shpirt njeriu të gjallë!

14 Po edhe pemët që i dëshironte shpirti yt, ikën prej teje, çdo stoli dhe madhështi humbi për ty! Jo, askurrë më nuk do të gjendet!

15 Tregtarët që me këto tregtonin e ajo i pasuroi, larg do të rrinë nga frika e mundimeve të saj duke qarë e duke vajtuar 16 e do të thonë: »Vaj, vaj! Qyteti i madh, i veshur me li, me purpur me kadife, i stolisur me gur të paçmueshëm dhe me margaritarë!«

17 Sa shpejt mbaroi gjithë kjo pasuri! Po edhe çdo timonier, të gjithë ata që lundrojnë afër brigjeve, çdo detar dhe kush punon në lundrim, qëndrojnë larg 18 dhe bërtasin duke parë tymin e zjarrit të saj: »Cili qytet ishte i ngjashëm me qytetin e madh?«

19 Dhe hodhën pluhur mbi kokë të vet e bërtisnin duke qarë dhe duke vajtuar: »Vaj, vaj për qytetin e madh! Pasuria e tij pasuroi të gjithë ata që kishin anije deti, dhe ja - përnjëherë u shkatërrua!«

20 Gëzo, o qiell, për rrënimin e tij, edhe ju të gjithë shenjtërit, apostujt dhe profetët, sepse Hyji, duke e dënuar atë, juve ju dha drejtësi.

21 Atëherë një engjëll i fuqishëm mori një gur të madh, si gur mulliri, dhe e flaku në det duke thënë: »Kështu do të flaket poshtë rrëmbyeshëm Babilonia, qyteti i madh dhe askurrë më nuk do të gjendet!

22 Këngë harpistësh e muzikantësh, fyelltarësh dhe trumbetarësh më në ty s’do të dëgjohet!

Kurrfarë mjeshtri të çdo mjeshtrie në ty më kurrë jo nuk do të gjendet! Ushtimë mokre në ty më s’do të dëgjohet!

23 As dritë pishe në ty, jo, nuk do të shihet! Jo zë dhëndri as zë nuseje të re kurrë në ty më s’do të dëgjohet. Sepse tregtarët e tu ishin princat e botës, sepse shortitë e tua gënjyen mbarë kombet, 24 në ty u gjet gjaku i profetëve dhe i shenjtërve dhe i të gjithë atyre që mbi tokë u prenë!«

Zbulesa: 19. Martesa mistike e Qengjit

19

1 Pastaj dëgjova diçka si zë të fortë të një shumice të madhe që brohoriste në qiell: »Aleluja! Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, 2 sepse gjyqet e tij janë të vërteta dhe të drejta! Sepse e dënoi Laviren e madhe që e prishi tokën me fëlligështinë e vet, dhe në të e mori gjakun e shërbëtorëve të vet!«

3 Përsëri thanë: »Aleluja! Tymi i saj buçet në jetë të jetës!«

4 Atëherë njëzet e katër udhëheqësit dhe katër Gjallesat ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin që rri në fron e thanë: »Amen, Aleluja!«

Martesa mistike e Qengjit

5 Pastaj nga froni jehoi zëri që tha: » Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij [edhe] të gjithë ju që e druani - të vegjël e të mëdhenj!«

6 Ndërkaq dëgjova, si zërin e një shumice së madhe njerëzish, si ushtimën e ujërave të mëdha, bumullimë rrufesh të forta:

»Aleluja! Mbretëroi Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi! 7 Le të galdojë e të brohorasim dhe ti japim lavdi Atij, sepse erdhi Dasma e Qengjit! Gati është Nusja e tij! 8 Iu dha të vishet me li të hollë, të shkëlqyeshëm dhe të pastër!« Petku i lirit shembullon veprat e drejta të shenjtërve.

9 Atëherë më tha: »Shkruaj! Të lumët ata që janë të grishur në gostinë e dasmës së Qengjit!« Dhe shtoi: »Këto janë fjalë të vërteta të Hyjit«.

10 Atëherë rashë para këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha:

»Prite Zot! Edhe unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që dëshmuan Jezusin! Adhuro vetëm Hyjin!«

Vërtet, dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë.

Kalorësit në kalë të bardhë

11 Atëherë pashë: Qiellin e hapur dhe ja, një kalë i bardhë, dhe në të Ai [që është], »Besniku«, i »Vërteti«, Ai që gjykon e lufton me drejtësi.

12 Sytë i ka [si] flakë zjarri, mbi kokë shumë kurorë, mban Emrin e shkruar që askush s’e di përveç Atij vetë. 13 Është i mbështjellë me mantel të ngjyer në gjak dhe për emër quhet: Fjala e Hyjit. 14 E shoqërojnë Armatat qiellore, në kuaj të bardhë, të veshura me petk liri të hollë dhe të pastër. 15 Nga goja i del shpata e mprehtë për të prerë paganët: »Do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri«. Ai e shkel vozgën e verës së zemërimit e të hidhërimit të Hyjit të Gjithëpushtetshëm. 16 Mbi mantel dhe në ijë e ka të shkruar Emrin: »Mbreti i mbretërve dhe Zotëruesi i zotëruesve!«

17 Atëherë pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai me një zë të fortë u bërtiste të gjthë shpendëve që fluturojnë nëpër qiell: »Ejani! Bashkohuni në gostinë e madhe të Hyjit 18 për të ngrënë mish mbretërish, mish krerësh, mish princash, mish kuajsh dhe kalorësish të tyre edhe mish gjithfarë njerëzish - të lirësh dhe skllevërish, të vegjëlish dhe të mëdhenjsh!«

19 Atëherë pashë Egërsirën e mbretërit e dheut dhe ushtritë e tyre, të bashkuara për të filluar luftën me Atë që rrinte në kalë dhe me ushtrinë e tij.

20 Egërsira u zu rob dhe bashkë me të edhe Profeti i rrejshëm që në praninë e saj bënte shenja të mrekullueshme me të cilat gënjente ata që morën vulën e Egërsirës dhe adhuruan truporen e saj. Të dy gjallë u hodhën në liqenin e zjarrtë që digjet me sulfur. 21 Të tjerët u prenë me shpatën që dilte nga goja e Kalorësit.

Të gjithë shpendët u nginë me mishrat e tyre!

Zbulesa: 20. Një mijë vjetët

20

1 Pastaj pashë: një engjëll tjetër po zbriste prej qiellit me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdha në dorë. 2 Ai e kapi Dragoin - Gjarprin e vjetër - Djallin, Satanin - dhe e lidhi në hekura për një mijë vjet. 3 E plandosi në Humnerë, e mbylli dhe e vulosi derën mbi të që të mos i ngashnjejë njerëzit derisa të plotësohen një mijë vjetët.

Atëherë duhet të zgjidhet për pak kohë.

4 Pastaj pashë edhe fronet: Atyre që ndenjën në to u qe dhënë pushteti të gjykojnë.

Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin prerë për shkak të dëshmisë së Jezusit dhe për shkak të Fjalës së Hyjit, po ashtu edhe ata që nuk e adhuruan Egërsirën dhe truporen e saj dhe nuk e morën vulën në ballë as në dorë të tyre.

Ata u kthyen në jetë dhe bashkë me Krishtin mbretëruan një mijë vjet. 5 Të vdekurit e tjerë nuk u ngjallën derisa u plotësuan një mijë vjet.

Kjo është ngjallja e parë.

6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë! Mbi ta vdekja e dytë s’ka pushtet: ata do të jenë priftërinjtë e Hyjit dhe të Krishtit dhe bashkë me Të do të mbretërojnë për një mijë vjet.

Shpartallimi i Satanit

7 Pasi të kryhen një mijë vjet, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij 8 dhe do të dalë të ngashnjejë popujt nga katër anët e botës - Gogë dhe Magogë - dhe do t’i bashkojë në luftë: numri i tyre është porsi rëra e detit.

9 Edhe këta u tubuan në fushën e gjerë të botës, e rrethuan fushimin e shenjtërve dhe qytetin e dashur. Por, nga qielli zbriti zjarri dhe i përpiu. 10 Djalli - ngashnjyesi i tyre, që plandosur në liqenin e zjarrtë dhe të sulfurt, aty ku gjendet Egërsira dhe Profeti i rrejshëm: aty do të vuajnë ditë e natë në shekuj të shekujve.

Gjyqi para fronit të lartë dhe të bardhë

11 Atëherë pashë një fron të madh dhe të bardhë edhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë farë gjurme.

12 Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës.

Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra - sipas veprave të tyre.

13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të, po ashtu edhe Vdekja dhe Nëntoka i kthyen të vdekurit që ishin në to: të gjithë qenë gjykuar sipas veprave të veta.

14 Atëherë edhe Vdekja dhe Nëntoka qenë hedhur në liqenin e zjarrtë.

Liqeni i zjarrtë është vdekja e dytë.

15 Kushdo nuk u gjet i shkruar në librin e jetës qe plandosur në liqenin e zjarrtë.

Zbulesa: 21. Qielli i ri dhe toka e re

21

Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më.

2 Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.

3 Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni:

»Ja Tenda e Hyjit me njerëz! 

Hyji do të banojë me njerëz!

Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]«.

4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund.

5 Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!«.

Dhe shtoi: »Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!«

6 Pastaj më tha: »U bënë! Unë jam Alfa dhe Omega! Fillimi dhe Mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës.

7 Ngadhënjyesi do t’i trashëgojë këto edhe unë do të jem Hyji i tij e ai biri im.

8 Kurse frikacakët, të pafetë dhe të ndytët, vrastarët e fëlligështarët, shortarët dhe idhujtarët dhe të gjithë rrenacakët trashëgimin e kanë në liqenin që digjet me zjarr dhe me sulfur«.

Kjo është vdekja e dytë.

Jerusalemi i ri

9 Atëherë u afrua njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë gotat plot me shtatë plagët e fundit dhe më tha:

»Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Gruan e Qengjit!«

10 Më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit!

11 Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor.

12 Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13 Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer.

14 Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhejtë apostujve të Qengjit. 15 Engjëlli që fliste me mua kishte masën - një kallam ari - për të matur qytetin, dyert e tij dhe muret e tij.

16 Qyteti ishte katror: gjatësia e tij e barabartë me gjerësinë. Qytetin e mati me kallam: dymbëdhjetë mijë stadje: gjatësia, gjerësia dhe lartësia të barabarta.

17 I mati edhe muret e tij: njëqind e dyzet e katër kutë!

Engjëlli përdori masën që përdorin njerëzit.

18 Muret e qytetit janë të ndërtuara me jaspis, kurse vetë qyteti me ar të pastër që i përngjan qelqit të pastër.

19 Themelet e qytetit janë të stolisura me çdo lloj margaritari: themeli i parë prej jaspisit, i dyti prej safirit, i treti prej kalcedonit, i katërti prej smaragdit, 20 i pesti prej sardoniksit, i gjashti prej sardit, i shtati prej krizolitit, i teti prej berilit, i nënti prej topazit, i dhjeti prej krizoprazit, i njëmbëdhjeti prej hiacintit, i dymbëdhjeti prej ametistit.

21 Dymbëdhjetë dyert - dymbëdhjetë margaritarë: secila derë ishte prej një margaritari të vetëm.

Sheshi i qytetit - ar i kulluar, i tejdukshëm porsi kristali.

22 Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji.

23 Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.

24 Popujt do të ecin në dritën e tij e mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet.

25 Dyert e tij nuk do të mbyllen ditën - natë aty më nuk do të ketë!

26 Në të do të sillet nderi dhe lavdia e popujve.

27 Në të s’do të hyjë asgjë që nuk është e pastër, as ai që bën punë të liga ose gënjen; por vetëm ata që janë të shkruar në librin e Jetës së Qengjit.