Levitiku: 1. Flitë e shkrumbimit holokaustet

1

1 Zoti e thirri Moisiun dhe, prej Tendës së takimit, iu drejtua me këto fjalë: 2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur ndokush prej jush ka në mendje t’ia kushtojë Zotit ndonjë fli prej bagëtive shtëpiake, mund t’i kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta.

3 Nëse kushti i tij është prej bagëtive të trasha për fli shkrumbimi, le të kushtojë mashkull pa të meta. Le ta kushtojë te dera e Tendës së takimit për ta fituar përkrahjen e Zotit. 4 Le ta vërë dorën e vet mbi krye të flisë, e kështu do të jetë e pëlqyeshme dhe do t’i vlejë kushtuesit për shpërblim. 5 Le ta therë mëzatin në praninë e Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, le ta kushtojnë gjakun e tij e le ta qesin të rrjedhë në rrethin e lterit që është në hyrje të Tendës së takimit. 6 Kushtuesi le ta rrjepë e le ta ndajë në pjesë. 7 Bijtë e Aronit, prift, le ta vënë zjarrin në lter e le t’i vënë drutë mbi zjarr. 8 Atëherë le t’i vënë rende‑ rende pjesët përmbi dru që janë në zjarr mbi lter, me kokë e me dhjamë. 9 Kushtuesi le t’i lajë me ujë rropullitë dhe këmbët e pastaj prifti le t’i djegë e t’i bëjë shkrumb mbi lter si fli shkrumbimi, fli e shkrumbuar në zjarr, erë e këndshme në nder të Zotit.

10 Nëse është fjala se do të kushtojë fli shkrumbimi një nga bagëtitë e imëta ‑ dele ose dhi ‑ duhet të kushtojë mashkull e të pa të metë. 11 Le ta presë para Zotit në krahun e veriut të lterit. Gjakun e tij le ta derdhin bijtë e Aronit, priftërinjtë, gjithreth lterit. 12 Kushtuesi le ta ndajë në pjesë, kurse prifti kokë e dhjamë le t’i vërë mbi dru që janë të vëna në zjarr mbi lter. 13 Kushtuesi le t’i lajë me ujë rropullitë e këmbët e atëherë prifti le t’i kushtojë të gjitha dhe le t’i djegë në lter: është fli shkrumbimi, fli e djegur në zjarr, erë e këndshme për Zotin.

14 Nëse dëshiron t’i kushtojë Zotit si fli shkrumbimi shpendë, atëherë le të kushtojë turtull ose pëllumb. 15 Prifti le ta sjellë te lteri, t’ia përdredhë qafën, t’ia këpusë kokën e ta djegë në lter, kurse gjakun e tij t’ia shtrydhë në anë të lterit. 16 Le t’ia dëlirë puplat e t’ia heqë gushën dhe ercokun e le t’i qesë në anën e lindjes të lterit në vendin e mbeturinave, aty ku hidhet hiri. 17 Le ta shpojë ndërmjet krahëve, por mos ta ndajë dhe prifti le ta djegë në lter duke e vënë përmbi drurët që janë në zjarr: është fli shkrumbimi, erë e këndshme për Zotin”.

Levitiku: 2. Flia bimore

2

1 “Kur ndokush dëshiron t’i kushtojë Zotit fli bimore, kushti i tij le të jetë prej më të mirit miell, le ta njomë me vaj e le t’i qesë kem. 2 Le t’ua sjellë priftërinjve, bijve të Aronit. Prifti le ta mbushë grushtin me asi mielli të njomur me vaj, le ta marrë tërë kemin e le ta djegë të tërin në lter si fli përkujtuese: është fli e bërë shkrumb në zjarr, erë tejet e mirë për Zotin. 3 Aq sa tepron prej flisë, i takon Aronit dhe bijve të tij: pjesë tejet e shenjtë, që vjen prej flive të shkrumbuara në zjarr, në nder të Zotit.

4 Nëse dëshiron të kushtosh fli bimore kushtimore, në nder të Zotit, të pjekur në furrë, le të jenë këto bukë prej më të mirit miell, pa tharm të njomura me vaj e pite të pabrume të lyera me vaj. 5 Nëse dhurata jote do të jetë fli kushtimore e pjekur në tepsi, le të jetë prej më të mirit miell, të njomur me vaj, por pa tharm. 6 Ndaje në copa dhe njome me vaj: kjo është fli kushtimore mielli. 7 Po qe se kushton fli bimore të gatitur në fultere, le të jetë prej më të mirit miell të përgatitur me vaj. 8 Sille flinë kushtimore të kushtuar Zotit të përgatitur me këto gjëra dhe jepja në dorë priftit, 9 i cili le ta vendojë në lter, le ta ndajë nga flia kushtimore pjesën si fli përkujtuese e le ta djegë mbi lter: fli të shkrumbuar në zjarr, erë e këndshme për Zotin. 10 Gjithë sa të teprojë, i takon Aronit dhe bijve të tij: pjesë tejet e shenjtë që vjen prej flive të shkrumbuara në zjarr në nder të Zotit.

11 Çdo fli kushtimore bimore që do t’i kushtoni Zotit, le të jetë pa tharm, sepse nuk guxoni të digjni as tharm as mjaltë si fli shkrumbimi. 12 Edhe këto mund t’ia kushtoni Zotit si fli frytesh të para, por s’do të vihen assesi në lter si erë e këndshme.

13 Kripe secilën fli kushtimore bimore. Mos e lër flinë tënde kushtimore bimore pa kripë të Besëlidhjes me Hyjin tënd: me çdo fli kushtimore bimore kushto edhe kripën.

14 Nëse i kushton Zotit flinë e fryteve të para, kushtoji kallinj të fërguar në zjarr e miell prej kokrrave të bluara trashë të fryteve të para të tua, 15 njomi me vaj e qitu kem: kjo është fli kushtimore bimore. 16 Prifti le ta djegë një pjesë si fli përkujtuese, një pjesë të kokrrave të bluara, e pak vaj dhe tërë kemin.”

 

Levitiku: 3. Flia pajtimore

3

1 “Nëse ndokush kushton një fli pajtimi: Në qoftë se paraqet bagëti të trashë, mashkull ose femër, të patëmetë, le t’ia kushtojë Zotit. 2 Le ta vërë dorën e vet mbi kokë të flisë së vet dhe le ta presë në hyrje të Tendës së takimit. Priftërinjtë, bijtë e Aronit, le ta derdhin gjakun gjithreth lterit 3 dhe prej flisë së pajtimit le t’ia kushtojnë Zotit si fli shkrumbimi dhjamin që i vesh zorrët, gjithë dhjamin ndër zorrë, 4 të dy veshkat me dhjamin që i mbështjell, e dhjamin e të hollit dhe rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë edhe atë bashkë me veshkat. 5 Atëherë bijtë e Aronit le t’i djegin këto pjesë mbi lter me flinë e shkrumbimit, që është përmbi dru në zjarr. Le të jetë fli e djegur e erëndshme në nder të Zotit.

6 Nëse ndokush i paraqet Zotit për fli të pajtimit një bagëti të imët, le ta kushtojë të patëmetë, qoftë mashkull, qoftë femër. 7 Nëse i paraqet Zotit qengj, 8 le ta vërë dorën e vet mbi kokë të flisë së vet dhe le ta presë para Tendës së takimit. Bijtë e Aronit le ta derdhin gjakun e tij gjithreth lterit. 9 Le t’i kushtojë prej flisë se pajtimit si fli të erëndshme Zotit: dhjamin e krejt bishtin duke e prerë mu te kurrizi, të nxjerrë edhe dhjamin që i mbështjell zorrët dhe tërë dhjamin e barkut, 10 të dy veshkat me dhjamin në ijë, rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë edhe atë me veshkat. 11 Prifti le t’i djegë të gjitha këto mbi lter: është një ushqim i shkrumbuar në nder të Zotit.

12 Nëse kushton dhi, le ta sjellë para Zotit, 13 le ta vërë dorën e vet mbi kokë të saj dhe le ta presë para Tendës së takimit. Bijtë e Aronit le ta derdhin gjakun e saj rreth lterit. 14 Prej saj le të nxjerrë kushtin e vet si fli shkrumbimi në nder të Zotit, d. m. th. dhjamin që vesh rropullitë dhe i gjithë sa është ndër zorrë, 15 dy veshkat me dhjamë që i vesh ato deri në të hollë si dhe rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë edhe atë me veshkat. 16 Prifti le t’i djegë të gjitha mbi lter: si ushqim, shujtë e djegur, erë zbutëse në nder të Zotit. I tërë dhjami i përket Zotit.

17 Le të jetë ky një ligj i përhershëm ndër të gjitha breznitë tuaja, në çfarëdo vendi që do të banoni: nuk guxoni assesi ta hani as dhjamin as gjakun.”

Flia për mëkate:

a/ të kryepriftit

Levitiku: 4. Zoti i tha Moisiut:

4

1 Zoti i tha Moisiut:

2 “Kështu thuaju izraelitëve: Kur njeriu të mëkatojë prej padijes kundër cilitdo urdhër të Zotit dhe bën çka është e ndaluar të bëjë, 3 nëse ky është prifti i shuguruar me lyerje që mëkaton e kështu e sjell fajin mbi mbarë popullin, atëherë për mëkat që bën le t’ia kushtojë Zotit një mëzat të pa të metë si fli mëkatimi. 4 Le ta sjellë mëzatin te dera e Tendës së takimit, para Zotit, le ta vërë dorën e vet mbi kokë të tij dhe le ta therë para Zotit. 5 Atëherë prifti i shuguruar me lyerje le të marrë ca prej gjakut të mëzatit e ta çojë në Tendën e takimit; 6 le ta ngjyejë gishtin në gjak, le të stërpikë me të shtatë herë në praninë e Zotit, në drejtim të koltrinës së shenjtërores; 7 pastaj prifti le të vërë prej atij gjaku në brirë të lterit për kemim të erëndshëm në nder të Zotit që është në Tendën e takimit; kurse gjithë gjakun tjetër le ta derdhë në themelet e lterit të flive të shkrumbimit në hyrje të Banesës. 8 Le ta nxjerrë tërë dhjamin e mëzatit të kushtuar për mëkat, qoftë atë që mbështjell zorrët, qoftë edhe atë që është ndër zorrë, 9 dy veshkat me dhjamë që i vesh ai deri në të hollë, rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë bashkë me veshkat, 10 po ashtu sikurse nxirret prej mëzatit të flijuar për flinë e pajtimit. Le t’i djegë prifti mbi lterin e flive të shkrumbimit. 11 Lëkurën e gjithë mishin me kokë e me këmbë e me rropulli e me ut, 12 krejt mëzatin le ta nxjerrë jashtë zemërimiës, në një vend të pastër, aty ku zakonisht hidhet hiri: le ta djegë me zjarr në turrë të druve: le të digjet në vendin ku derdhen hirat”.

b/ të bashkësisë së izraelitëve

13 “Nëse mbarë bashkësia e izraelitëve gabon prej padijes e bën diçka që Zoti e ka ndaluar të bëhet e kështu ata bëhen fajtorë, 14 e pastaj e marrin vesh se kanë mëkatuar, mbarë bashkësia le ta kushtojë një mëzat për mëkat dhe le ta sjellë te dera e Tendës së takimit. 15 Pleqtë e bashkësisë së popullit le t’i vënë duart mbi kokë të tij para Zotit, e, pasi të jetë prerë mëzati para Zotit, 16 prifti, që është i shuguruar, le të shtjerë ca prej gjakut të tij në Tendën e takimit, 17 le ta ngjyejë gishtin në gjak e le të stërpikë me të shtatë herë në praninë e Zotit kundër koltrinës, le të vërë po prej këtij gjaku në brirët e lterit që është në praninë e Zotit në Tendën e takimit. 18 Pjesën tjetër të gjakut le ta derdhë në rrëzë të lterit të flive të shkrumbimit që është në hyrje të Tendës së takimit. 19 Le ta marrë gjithë dhjamin e tij e le ta djegë në zjarr. 20 Le të bëjë edhe me këtë viç siç bëri me viçin e flijuar për mëkat: po ashtu të bëjë edhe me këtë. E pasi prifti ta ketë kryer ritin e zgjidhjes përmbi bashkësinë, do të jenë të falur prej Zotit. 21 Mëzatin le ta qesë përjashta zemërimiës dhe le ta djegë porsi mëzatin e mëparshëm: kjo është fli e mëkatimit të bashkësisë”.

c/ të një kryetari

22 “Nëse njëri ndër krerët mëkaton me padije e bën ndonjë gjë që Zoti, Hyji i tij, e ka ndaluar e kështu bëhet fajtor, 23 atëherë, kur ta kenë vënë në dijeni për gabimin e bërë, le ta bjerë si kusht të vetin një cjap të patëmetë 24 dhe le ta vërë dorën e vet mbi kokë të tij e le ta flijojë para Zotit në vend ku zakonisht theret flia e shkrumbimit: kjo është fli e mëkatimit. 25 Prifti le ta ngjyejë gishtin e vet në gjakun e flisë së mëkatimit, le ta vërë mbi brirët e lterit për fli shkrumbimi, kurse sa tepron le ta derdhë në fund të lterit. 26 Dhjamin le ta djegë mbi lter ashtu si digjet ndër fli pajtimi: kështu prifti le ta kryejë ritin e zgjidhjes përmbi kryetarin dhe do t’i falet faji”.

ç/ të njërit prej popullit

27 “Nëse gabon prej padijes njeri prej popullit të thjeshtë dhe bën çka ka ndaluar Zoti e kështu mëkaton, 28 atëherë, kur ta kenë vënë në dijeni për gabimin e bërë, le ta sjellë si kusht për gabimin e vet një dhi të pa të metë. 29 Le ta vërë dorën mbi kokë të flisë për mëkat, dhe le ta presë në vendin e flive të shkrumbimit. 30 Prifti le të marrë ca prej gjakut në gishtin e vet dhe le të vërë në brirët e lterit të flive të shkrumbimit, kurse tepricën le ta derdhë në rrëzë të lterit. 31 Pasi ta ketë nxjerrë gjithë dhjamin, ashtu si nxirret nga flitë e pajtimit, atëherë prifti le ta djegë mbi lter si erë të këndshme në nder të Zotit. Prifti le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes e Zoti do t’ia falë fajin.

32 Nëse bie prej deleve si dhuratë për mëkat, atëherë të sjellë një qengje të pa të metë. 33 Le ta vërë dorën mbi kokë të saj e le ta presë në atë vend ku është zakon të theret flia për flitë e shkrumbimit. 34 Prifti le të marrë me gishtin e vet ca prej gjakut e ta vërë mbi brirët e lterit të flive të shkrumbimit, e sa tepron le ta qesë në rrëzë të lterit. 35 Pasi ta ketë nxjerrë gjithë dhjamin, siç nxirret zakonisht dhjami i qengjit që flijohet për flitë e pajtimit, le ta djegë mbi flitë e shkrumbuara në nder të Zotit. Kështu prifti le ta kryejë mbi atë njeri ritin e zgjidhjes së mëkatit që ka bërë, e do t’i falet”.

Levitiku: 5. Disa raste të flisë për mëkat

5

1 “Kur një njeri mëkaton pse nuk dëshmon pasi ta ketë dëgjuar formulën e përbetimit e ka mundur të jetë dëshmitar, pasi vetë ka parë ose ka qenë vënë në dijeni, e nuk shpall çka di, atëherë ai e mbart peshën e fajit të vet;

2 ose, kur një njeri, pa u kujtuar, prek ndonjë gjë të papastër qoftë ngordhësirë, egërsire, bagëtie shtëpiake, ose zvarraniku, atëherë ai bëhet i papastër dhe fajtor;

3 ose edhe prek, prapë me padije, ndonjë gjë të papastër të njeriut ‑ çfarëdo fëlliqësie që e bën të papastër ‑ atëherë, që kur vihet në dijeni, ai bëhet fajtor;

4 ose prapë, kur dikush, me padije, pa paramendim, bën ndonjë be, qoftë për të mirë e qoftë për të keq, në çdo rast kur një njeri mund të përbehet pa u menduar mirë ‑ atëherë, si të vihet në dijeni për këtë gjë, bëhet fajtor. 5 Nëse, pra, ndokush bëhet fajtor në ndonjë, ndër këto raste, le ta rrëfejë fajin e vet, 6 e atëherë le ta sjellë, në emër të shpagimit në nder Zotit për mëkat që ka bërë, një femër prej bagëtive të imëta qengje ose edhe dhi si fli për mëkat; atëherë prifti do ta bëjë mbi të ritin e zgjidhjes për mëkatin e tij”.

Flia e mëkatimit të njeriut të thjeshtë të popullit /vazhdim/

7 “Nëse ndokush nuk është në gjendje për shkak të skamjes të kushtojë një kokë bagëtie të imët, atëherë le t’i kushtojë Zotit për fajin e vet dy turtuj ose dy pëllumba: njërin si fli mëkatimi e tjetrin fli shkrumbimi. 8 Le t’ia japë ata priftit, i cili të parin ta kushtojë fli mëkatimit. T’ia përdredhë qafën, por të mos ia këputë kokën, por ajo të jetë e kapur me qafë; 9 me gjakun e tij të stërpikë anët e lterit, e aq sa tepron, le ta shtrydhë në rrëzë. Kjo është fli për mëkat. 10 Tjetrin le ta djegë fli shkrumbimi, ashtu si bëhet zakonisht. Atëherë prifti le të kryejë mbi të ritin e zgjidhjes për mëkatin që ka bërë, dhe ai do t’i falet.

11 Nëse nuk i ka ndoresh dy turtuj ose dy pëllumba, le të kushtojë për fajin e vet të dhjetën pjesë të efit miell të mirë si fli mëkatimi. Në të, të mos qesë vaj, as të mos vërë kem, sepse është fli mëkatimi. 12 Le t’ia japë priftit, e ky le ta mbushë plot grushtin me të si fli përkujtuese e le ta djegë në lter mbi flitë e shkrumbimit në nder të Zotit: kjo është fli mëkatimi. 13 Prifti kështu le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes për mëkat që e ka bërë në cilindo rast prej të përmendurve më sipër, dhe Zoti do ta falë. Pjesa tjetër i takon priftit, si në kushtimin e flisë kushtimore bimore”.

Flia e shpërblimit

14 Zoti foli me Moisiun e i tha: 15 “Kur ndokush mëkaton me padije, duke iu shmangur detyrës në të drejtat e shenjta të Zotit, i duhet të sjellë në emër të shpërblimit bërë Zotit një dash të patëmetë, të marrë nga bagëtitë e imëta, me vlerë të disa siklave të argjendtë sipas peshës së siklit të shenjtërores, për ta kushtuar si fli shpërblimi. 16 Dëmin që ka bërë le ta shpaguajë e le të shtojë edhe të pestën pjesë mbi të e t’ia japë priftit. Prifti atëherë le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes me anë të flisë së shpërblimit duke kushtuar dashin, dhe mëkati do t’i falet.

17 Nëse ndokush mëkaton me padije e bën diçka që Zoti e ka ndaluar, është fajtor dhe le të përgjigjet për fajin e vet. 18 Le të sjellë te prifti një dash të patëmetë prej grigjës, sipas çmimit të vet, për fli shpërblimi e prifti do të kryejë mbi të ritin e zgjidhjes për mëkatin e bërë me padije, dhe ai do t’i falet: 19 është fli shpërblimi; njeriu kishte rënë në faj para Zotit”.

20 Zoti i tha përsëri Moisiut: 21 “Kur ndokush mëkaton e bën paudhësi ndaj Zotit duke gënjyer shokun lidhur me një gjë që i lihet ta ruajë, ose e shfrytëzon dhe i nxjerr ndonjë gjë me dredhi ose me dhunë;

22 ose gjen ndonjë gjë të humbur dhe e mohon, ose nëse bën dëshmi të rreme duke u betuar rrejshëm për çfarëdo mëkati që mund të bëjë njeriu;

23 nëse mëkaton e bëhet kështu përgjegjës, le të kthejë gjithçka që ka marrë me dhunë ose me dredhi, sendin që i është lënë ta ruajë, sendin që e ka gjetur 24 dhe krejt ato gjëra për të cilat bën be rrejshëm. Për më tepër le t’ia shtojë mbi dëm atij që ia ka bërë edhe një të pestën e vlerës ditën kur e kushton flinë e shpërblimit. 25 Në emër të shpërblimit ndaj Zotit, le të sjellë një dash prej grigjës, të pa të metë si të çmohet. 26 Kur prifti ta ketë bërë mbi të ritin e zgjidhjes para Zotit, do t’i falet çfarëdo që të ketë bërë për çka është fajtor”.

Levitiku: 6. Priftëria dhe flitë

6

1 Zoti foli me Moisiun dhe i tha:

2 “Urdhëroj Aronit e bijve të tij: Ky është riti i flisë së shkrumbimit: do të digjet në zjarr të lterit gjithë natën deri në mëngjes: zjarri i lterit do të rrijë ndezur në të vazhdimisht. 3 Prifti le të veshë këmishën e lirit dhe të veshë të linjtat, pastaj le të mbledhë hirin e yndyrsuar në çka zjarri e shndërron flinë e shkrumbimit në lter e atë ta qesë afër lterit. 4 Pastaj le t’i zhveshë ato petka e të veshë të tjera për ta shpënë hirin në një vend të pastër jashtë zemërimiës. 5 Zjarri në lter le të rrijë vazhdimisht i ndezur, të mos ndalet assesi. Zjarrin do ta mbajë prifti duke i vënë dru për çdo ditë në mëngjes dhe në to ta rendit flinë e shkrumbimit, e përmbi të le të djegë dhjamin e flive të pajtimit. 6 Në lter duhet të rrijë vazhdimisht zjarri i ndezur; të mos lihet assesi të shuhet.

B. Flia kushtimore bimore

7 “Ky është riti për flinë kushtimore bimore:

le ta kushtojnë bijtë e Aronit në praninë e Zotit e pranë lterit: 8 prifti le të marrë prej saj një grusht më të mirit miell që është i njomur me vaj dhe të marrë tërë kemin që është i vënë mbi miell: le ta djegë atë në lter si fli përkujtuese, erë të mirë në nder të Zotit, 9 e tepricën, në trajtë të bukëve të pabrume, le ta hanë Aroni e bijtë e tij në vend të shenjtë; le ta hanë në tremën e Tendës së takimit. 10 Prandaj, të mos piqet me brumë, sepse ua dhashë atyre si pjesë prej ushqimeve që digjen në nderin tim e unë ua jap atyre ‑ pjesë shumë e shenjtë, pikërisht si fli për mëkat e flia e shpërblimit. 11 Vetëm meshkujt që rrjedhin prej bijve të Aronit mund ta hanë. Kjo është një rregullore e përhershme brez pas brezit ndër ju, pjesa që u takon prej ushqimeve që digjen në nder të Zotit; kushdo që t’i prekë ato, do të jetë i shenjtëruar”.

12 Zoti foli përsëri me Moisiun e i tha:

13 “Ky është kusht që do t’ia kushtojnë Zotit Aroni e bijtë e tij ditën e shugurimit të tyre: le të kushtojnë të dhjetën pjesë të efit më të mirit miell si fli të përhershme: gjysmën e saj në mëngjes e gjysmën tjetër në mbrëmje. 14 Le të përgatitet në fultere me vaj. Sille të nxehtë dhe të ndarë në pjesë të vogla e kushtoja Zotit për erë të këndshme si fli kushtimore bimore. 15 Ai ndër bijtë e tij që do ta trashëgojë si prift i shuguruar me lyerje le ta bëjë këtë. Ligj i përhershëm: e krejt le të digjet në nder të Zotit. 16 Çdo fli e kushtuar prej priftit, duhet të digjet krejtësisht; prej saj s’guxohet të hahet gjë”.

C. Flia e mëkatimit

17 Zoti i tha përsëri Moisiut:

18 “Thuaj Aronit e bijve të tij: Ky është riti i flisë së mëkatimit le të theret edhe kjo, në praninë e Zotit aty ku theret flia e shkrumbimit: është gjë shumë e shenjtë. 19 Prifti që e paraqet këtë fli, le ta hajë në vendin e shuguruar, në tremen e Tendës së takimit. 20 Çkado që të prekë, mishrat e saj, do të jetë e shuguruar; nëse stërpiket petku me gjakun e saj, le të lahet në vendin e shuguruar. 21 Ena e dheut, në të cilën qe zier, le të thyhet, por në qoftë se është e bronztë, le të fërkohet mirë e le të lahet me ujë. 22 Çdo mashkull i gjakut të priftërinjve mund të hajë prej mishit të kësaj flie ‑ është gjë tejet e shenjtë; 23 kurse asnjë fli e kushtuar për mëkat, prej të cilës gjaku çohet në Tendën e takimit për ritin e zgjidhjes në Shenjtërore, të mos hahet, por le të shkrumbohet në zjarr”.

Ç. Flia e shpërblimit

Levitiku: 7. Të drejtat e priftërisë

7

1 “Ky është riti për flinë e shpërblimit. Është tejet e shenjtë! 2 Prandaj, aty ku theret flia e shkrumbimit, aty le të theret edhe flia e shpërblimit. Gjaku i saj le të derdhet rreth e rreth lterit. 3 Atëherë le ta kushtojë krejt dhjamin e saj, d. m. th. bishtin me dhjamë, dhjamin e zorrëve, 4 dy veshkat dhe dhjamin që i mbështjell ato deri në të hollë, dhe rizën e mëlçisë: le ta nxjerrë bashkë me veshkat. 5 Prifti le ta djegë mbi lter si fli të djegur në nder të Zotit. Kjo është flia e shpërblimit. 6 Çdo mashkull i gjakut të priftërinjve mund ta hajë në vendin e shuguruar. Është gjë tejet e shenjtë”.

Të drejtat e priftërisë

7 “Siç është flia për mëkat ashtu është edhe flia e shpërblimit: të dyja kanë po të njëjtin rit. Flia i përket priftit që kryen ritin e zgjidhjes. 8 Prifti që e flijon flinë e shkrumbimit të ndokujt, e merr për vete lëkurën e flisë që flijon. 9 Pastaj çdo fli kushtimore bimore që piqet në furrë si dhe çdo tjetër që përgatitet në kusi ose në tepsi, do t’i përkasë atij prifti që ta ketë flijuar. 10 Çdo fli kushtimore bimore, qoftë e njomur me vaj apo e thatë, u takon së bashku të gjithë bijve të Aronit në masë të barabartë për secilin”.

D. Flia e pajtimit:

a/ Flia e lavdit

11 “Ky është riti i flisë së pajtimit që i kushtohet Zotit.

12 Nëse flia është për të përcjellë “lavdin”, për flinë e lavdit kushtohen kuleç të pabrumë të përgatitur me vaj, petë të lyera me vaj, por pa brumë dhe kuleç të përgatitur me më të mirin miell të ngjeshur me vaj. 13 Le të kushtohen edhe, si fli, përveç këtyre kuleçve, edhe kuleç të mbaruar për të shoqëruar flinë, 14 prej të cilëve njëri le t’i kushtohet Zotit në emër të ndihmesës, dhe le t’i takojë priftit që do ta derdhë gjakun e flisë së pajtimit. 15Mishi i kësaj flie le të hahet po atë ditë dhe s’do të lihet asgjë për të nesërmen”.

b/ Flitë kushtimore ose vullnetare

16 “E nëse flia që paraqitet është fli kushtimore ose vullnetare, le të hahet po atë ditë që kushtohet; nëse tepron gjë për të nesërmen, është e lejuar të hahet; 17 porse, çkado që të teprojë për të tretën ditë, të digjet në zjarr”.

Rregulla të përgjithshme

18 “Nëse ndokush ha prej mishit të flisë së pajtimit të tretën ditë, flia do të shkojë hupës dhe nuk do t’i numërohet atij që e kushton. Ky mish është i prishur dhe ai që ha prej këtij mishi le ta marrë mbi vete përgjegjësinë e fajit. 19 Mishi që preket në ndonjë gjë të ndyrë, të mos hahet, por të digjet në zjarr; ndryshe, kushdo që është i pastër, mund ta hajë mishin. 20 Ai që i papastër do të guxonte të hajë mishin e flisë së pajtimit që i është kushtuar Zotit, le të zhduket prej popullit të vet. 21 Po edhe ai që prek çkado të papastër ‑ qoftë fëlliqësi të njeriut ose të bagëtisë, ose çfarëdo krijese të ndytë ‑ e guxon të hajë mish të këtyre flive, le të zhduket prej popullit të vet”.

22 Zoti foli me Moisiun e i tha:

23 “Thuaju bijve të Izraelit: mos e hani dhjamin e gjedhit, të deles e të dhisë. 24 Dhjamin e bagëtisë së ngordhur të kafshës që e shqyen bisha, mund ta përdorni për shërbime të ndryshme, por mos e hani. 25 Ai që ha dhjamin e bagëtisë që mund t’i kushtohet fli shkrumbimi Zotit, le të ndahet prej popullit të vet. 26 Po as gjakun e asnjë kafshe mos e përdorni për ushqim: as të shpendit as të bagëtisë.

27 Kushdo të hajë gjak, le të zhduket prej popullit të vet”.

Pjesët që u përkasin priftërinjve

28 Zoti foli me Moisiun e i tha:

29 “Thuaju bijve të Izraelit: Ai që ia kushton Zotit flinë e pajtimit, le t’i sjellë si dhuratë Zotit pjesët prej flisë së pajtimit. 30 Le t’ia paraqesë vetë Zotit me duart e veta flinë e shkrumbimit: le të sjellë, pra, dhjamin e të sjellë edhe gjoksin: gjoksi që të kushtohet si fli lartësimi para Zotit. 31 Prifti le ta djegë dhjamin përmbi lter; kurse gjoksi le t’i takojë Aronit e bijve të tij. 32 Po edhe shpatulla e djathtë e flive të pajtimit le t’i jepet si dhuratë priftit. 33 Ai që do ta kushtojë prej bijve të Aronit gjakun dhe dhjamin e flisë së pajtimit, ai le ta marrë si pjesë të veten shpatullën e djathtë; 34 sepse, unë prej flive të pajtimit që i kushtojnë bijtë e Izraelit e ndava gjoksin e ritit të lartësimit dhe shpatullën e ritit të ndihmesës e ia dhurova Aronit prift dhe bijve të tij. Është ligj i përhershëm që i detyrohet të gjithë bijve të Izraelit”.

Përfundimi

35 Kjo është pjesa e Aronit dhe e bijve të tij prej flive të djegura në nder të Zotit që atë ditë kur i paraqiti për të ushtruar priftërinë. 36 Këto urdhëroi Zoti t’u jepen prej bijve të Izraelit atë ditë që i shuguroi. Urdhër i përhershëm ndër breznitë e tyre”.

37 Ky është riti i flisë së shkrumbimit, i flisë kushtimore bimore, i flisë për mëkat e për shpërblim, për shugurim të flisë së pajtimit, 38 që Zoti i urdhëroi Moisiut në malin Sinai, kur Zoti u urdhëroi bijve të Izraelit t’i kushtojnë Zotit fli në shkretëtirën e Sinait.

Levitiku: 8. Riti i shugurimit priftëror

8

1 Zoti foli me Moisiun e i tha:

2 “Merre Aronin me bijtë e tij, petkat e tyre dhe vajin e shugurimit, mëzatin për fli të mëkatimit, dy desh, shportën me bukë të pabrumë, 3 dhe mblidhe mbarë bashkësinë te hyrja e Tendës së takimit”. 4 Moisiu veproi ashtu si i kishte urdhëruar Zoti. Si u mblodh mbarë bashkësia te dera e Tendës së takimit, 5 Moisiu tha: “Ja çka urdhëroi Zoti të bëhet”.

6 Dhe menjëherë bëri të afrohet Aroni e bijtë e tij. Pasi i lau me ujë, 7 e veshi Aronin si prift me këmishë të linjtë, e ngjeshi me brez, ia veshi gunën vjollce dhe përmbi atë ia vuri shpinoren. 8 Këtë e shtrëngoi mirë me brezin e shpinores. Atëherë e vuri parzmoren, në të cilën vuri Urim dhe Tumim. 9 Kokën ia mbuloi me kësulë e mbi të në ballë i vuri paftën e artë, kezën e shenjtë, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

10 Pastaj Moisiu mori vajin e shugurimit e me të leu Banesën me të gjitha pjesët përkatëse të sajat dhe i shuguroi. 11 Pasi e stërpiku me të lterin shtatë herë, e leu atë dhe të gjitha enët e tija, po ashtu edhe legenin me fundësorin e tij e shuguroi me vaj. 12 I qiti Aronit mbi kokë vajin e shugurimit, e leu dhe e shuguroi. 13 Po ashtu i afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me këmisha të linjta dhe i ngjeshi me brez. Në kokë u vuri kësulat si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

14 Atëherë e afroi edhe mëzatin për fli të mëkatimit dhe, pasi i vunë duart mbi kokë të tij Aroni e bijtë e tij, 15 e theri. Atëherë Moisiu mori me gisht të vet ca prej gjakut të tij dhe vuri mbi brirët e lterit rreth e rreth dhe kështu e pastroi. Pjesën tjetër të gjakut e ndikoi në themelet e tija dhe e shenjtëroi duke kryer ritin e zgjidhjes. 16 Atëherë Moisiu mori tërë dhjamin që i mbështillte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me dhjamin e tyre dhe i dogj mbi lter, 17 kurse mëzatin me lëkurë, me mish e me ut i dogji jashtë zemërimiës, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

18 E solli edhe dashin për fli të shkrumbimit e, pasi mbi kokë të tij i vunë duart Aroni dhe bijtë e tij, 19 e theri dhe gjakun ia derdhi rreth e rreth lterit. 20 Pasi dashin e ndau në pjesë, kokën, copat dhe dhjamin i dogji në zjarr. 21 Pasi qenë larë rropullitë e këmbët, të gjitha së bashku ‑ krejt dashin e dogji mbi lter. Ishte kjo fli e shkrumbimit në erë të këndshme, fli e shqimur prej zjarrit në nder të Zotit, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

22 E solli edhe dashin e dytë, dashin fli shuguruese. Mbi kokën e tij i vunë duart e veta Aroni dhe bijtë e tij. 23 Moisiu e preu, mori ca prej gjakut të tij e ia preku bulën e veshit të djathtë Aronit, pëlqyerin e dorës së tij të djathtë, po ashtu edhe të këmbës. 24 I afroi edhe bijtë e Aronit e, pasi me gjakun e dashit të prerë ia preku secilit bulën e veshit të djathtë si dhe secilit, pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë, pjesën që teproi e derdhi rreth e rreth mbi lter. 25 Mori dhjamin e bishtin dhe tërë dhjamin që mbështjell zorrët dhe rizën e mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre e shpatullën e djathtë. 26 Prej shportës së bukëve të pabrume, që ishte para Zotit, një bukë të pabrume, një kulaç me vaj e një pite dhe i vuri mbi dhjamë e mbi shpatullën e djathtë. 27 Të gjitha këto i vuri në duar të Aronit e të bijve të tij, të cilët pasi i lartësuan para Zotit me sjelljen e flisë së lartësimit, 28 e, pasi i mori përsëri prej duarve të tyre, i dogji si erë të mirë në lter përmbi flinë e shkrumbimit. Kjo ishte fli e hyrjes në pushtet, erë e këndshme, ushqim i shkrumbuar në nder të Zotit. 29 Moisiu pastaj mori edhe gjoksin, e paraqiti si fli lartësimi para Zotit. Ishte kjo pjesa prej dashit të flisë së hyrjes në pushtet që i takonte Moisiut, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

30 Pastaj mori ca prej vajit të shugurimit dhe ca prej gjakut që ishte në lter, e stërpiku Aronin dhe petkat e tija e po ashtu i stërpiku bijtë e Aronit dhe petkat e tyre.

31 Pasi i shuguroi ata në të veshmet e tyre, u urdhëroi me këto fjalë: “Zieni këtë mish në të hyrë të Tendës së takimit, dhe aty hajeni. Hani edhe bukët e kushtuara që janë në shportë, ashtu si më qe urdhëruar: ‘Le t’i hanë ato Aroni e bijtë e tij; 32 e sa të teprojë prej mishit e prej bukëve, ato t’i djegë zjarri’. 33 Për shtatë ditë mos u largoni prej derës së Tendës së takimit ‑ deri ditën kur kryhet hyrja juaj në pushtet, sepse duhen shtatë ditë që të marrë fund shugurimi juaj. 34 Zoti urdhëroi të veprohet siç u veprua sot për t’u kryer mbi ju riti i zgjidhjes. 35 Ditë e natë do të rrini në derën e Tendës së takimit duke zbatuar udhrin e Zotit, që të mos vdisni. Kështu më qe urdhëruar”.

36 Aroni dhe bijtë e tij bënë krejt ashtu si u kishte urdhëruar Zoti nëpër Moisiun.

Levitiku: 9. Hyrja e priftërinjve në shërbim

9

1 Të tetën ditë Moisiu i thirri Aronin e bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit e i tha Aronit:

2 “Merre një viç fli për mëkat dhe një dash për fli të shkrumbimit: të dy të patëmetë dhe silli para Zotit. 3 Izraelitëve thuaju kështu: ‘Merrni një cjap fli për mëkat, një viç e një dash të një viti, të dy të patëmetë, për fli të shkrumbimit; 4 një mëzat e një dash për fli të pajtimit, dhe flijoni para Zotit. Merrni edhe flinë kushtimore bimore të njomur me vaj: sepse Zoti do t’ju dëftohet sot’”.

5 Sollën, prandaj, ata gjithë çka u kishte dhënë urdhër Moisiu dhe i prunë para derës së Tendës së takimit, ku, pasi u afrua mbarë bashkësia dhe qëndronte para Zotit, 6 Moisiu tha: “Ja urdhri që e ka dhënë Zoti: plotësojeni që t’ju dërftohet lavdia e tij”! 7 I tha edhe Aronit. “Afrohu te lteri e kushtoje flinë tënde të mëkatimit dhe flinë e shkrumbimit e kryeje ritin e zgjidhjes për ty e për popull. Atëherë kushtoje dhuratën e popullit dhe kryeje për të ritin e zgjidhjes, si urdhëroi Zoti”.

8 Aroni u afrua menjëherë te lteri dhe e theri viçin për flinë e vet të mëkatimit. 9 Bijtë e tij i sollën gjakun e viçit, në të cilin ai ngjeu gishtin, i preku brirët e lterit dhe tepricën e tij e derdhi në fundësorin e tij. 10 Dhjamin, veshkat dhe rizën e mëlçisë së flisë për mëkat e dogji në erë të këndshme përmbi lter ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 11 Ndërsa mishin dhe lëkurën e saj e dogji jashtë zemërimiës në zjarr.

12 E theri edhe flinë e shkrumbimit. Bijtë e tij i sollën gjakun e saj, të cilin ai e derdhi rreth e rreth lterit. 13 Pasi flinë e prenë në pjesë, ia sollën bashkë me kokë: të gjitha së bashku i dogji në zjarr përmbi lter. 14 Pastaj i lau me ujë zorrët e këmbët dhe i dogji si erë të mirë në lter përmbi flinë e shkrumbimit.

15 E afroi edhe flinë e popullit, e mori cjapin e flisë për mëkat të popullit, e preu dhe e kushtoi si flinë e parë, fli për mëkat. 16 Solli pastaj flinë e shkrumbimit e veproi me të sipas ritit. 17 Solli pastaj flinë kushtimore bimore, e mbushi me të grushtin dhe e dogji në erë të këndshme mbi lter përveç flisë shkrumbore mëngjesore.

18 Atëherë theri edhe mëzatin e dashin, flitë e pajtimit të popullit. Të bijtë i sollën gjakun, të cilin e ndikoi gjithreth përmbi lter. 19 Dhjamin e mëzatit, bishtin e dashit, veshkat me dhjamin e tyre dhe rizën e mëlçisë 20 i vunë përmbi gjoksa dhe i dogji erë të mirë përmbi lter. 21 Kurse gjoksat e tyre dhe shpatullat e djathta Aroni i lartësoi me ritin e lartësimit para Zotit, si kishte urdhëruar Moisiu.

22 Atëherë Aroni i lartësoi duart mbi popull dhe e bekoi. Kështu zbriti pasi e kishte kryer së flijuari flinë e mëkatimit, flinë e shkrumbimit e flinë e pajtimit. 23 Atëherë Moisiu e Aroni hynë në Tendën e takimit. Kur dolën e bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit. 24 Dhe, ja, prej pranisë së Zotit doli një zjarr dhe e përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin përmbi lter. Kur e pa këtë gjë turma, brohoriti prej gëzimit e ra me fytyrë për dhe në adhurim.

Levitiku: 10. Rregulloret plotësuese

10

1 Tashti, Nadabi e Abihui, bijtë e Aronit, i morën kemoret e veta, qitën në to zjarr e, përmbi zjarr, temianin e kushtuan në praninë e Zotit zjarr të pashuguruar, që Zoti nuk ua kishte urdhëruar. 2 Por, prej pranisë së Zotit doli zjarri dhe i përpiu ‑ e ata vdiqën të dy në praninë e Zotit.

3 Moisiu i tha Aronit: “Ja, ç’do të thotë ajo që tha Zoti:

‘Në ata që më afrohen,

dua të jem i shenjtëruar,

dhe në sy të mbarë popullit

dua të jem i lavdëruar’”.

Aroni s’bëri vër me gojë.

B. Kufomat e mbartura jashtë

4 Moisiu i thirri Misaelin dhe Elsafanin, bijtë e Ozielit, ungjit të Aronit, e u tha: “Shkoni e merrni vëllezërit tuaj prej Shenjtërores dhe çoni jashtë zemërimiës”. 5 Ata u afruan e menjëherë i morën ashtu siç ishin të veshur me këmishat e tyre e i qitën jashtë siç u qe urdhëruar.

C. Rregulla të zisë të veçanta për priftërinj

6 Pastaj Moisiu i tha Aronit, Eleazarit e Itamarit, bijve të tij: “Mos i shprishni flokët tuaj, as mos i shqyeni petkat që të mos vdisni e të mos e sillni hidhërimin mbi mbarë bashkësinë. Vëllezërit tuaj dhe mbarë Shtëpia e Izraelit le t’i qajnë ata që i dogji zjarri, të cilin e ndezi Zoti. 7 Mos u largoni e mos dilni jashtë derës së Tendës së takimit, ndryshe do të vdisni, sepse në ju është vaji i shugurimit të Zotit”.

Ata bënë gjithë si urdhëroi Moisiu.

Ç. Ndalimi i përdorimit të verës

8 E Zoti i tha Aronit:

9 “Verën e çdo pije që mund të dehë, mos e pi ti as bijtë e tu kur hyni në Tendën e takimit. Kështu nuk do të vdisni. Është ligj i përhershëm për ju brez pas brezi; 10 që të jeni në gjendje ta dalloni sendin e shuguruar prej të thjeshtit, të pastrin prej të papastrit 11 e t’ua mësoni bijve të Izraelit të gjithë ligjet e mi që Zoti ua dha nëpër Moisiun”.

D. Pjesa e priftërinjve prej flive

12 Atëherë Moisiu i tha Aronit dhe bijve të tij që mbetën gjallë, Eleazarit e Itamarit: “Prej flisë kushtimore bimore merrni sa tepron pasi të jenë bërë flitë e djegura në nder të Zotit, dhe hajeni të pabrume pranë lterit, sepse është gjë tejet e shenjtë. 13 Hajeni në vendin e shuguruar, sepse kjo është pjesa që të është dhënë ty dhe bijve të tu prej flive të djegura në nder të Zotit ‑ kështu më qe dhënë urdhri. 14 Kurse gjoksin e flisë së lartësimit dhe shpatullën e flisë së ritit të ndihmesës hajeni në një vend të pastër ti e bijtë e tu e bijat e tua me ty, sepse këto janë ndihmesë dhënë ty e fëmijëve të tu prej flive të pajtimit të izraelitëve. 15 Shpatullën e gjoksin le ta sjellin bashkë me pjesët e dhjamit që do të digjen, që këto të kushtohen me ritin e lartësimit para Zotit; dhe janë pjesë që të përkasin ty dhe bijve të tu. Është ligj i përhershëm, siç urdhëroi Zoti”.

DH. Rregullore të veçanta lidhur me flitë e mëkatimit

16 Atëherë Moisiu kërkoi të dijë si u flijua cjapi i flisë së mëkatimit, mori vesh se e kishin djegur. U hidhërua në Eleazarin e Itamarin, bijtë e Aronit, që kishin mbetur gjallë, e tha: 17 “Pse nuk e hëngrët flinë e mëkatimit në vendin e shuguruar? Ajo është gjë tejet e shenjtë dhe Zoti jua dha për t’ia hequr mëkatin bashkësisë e që të kryhet mbi të riti i zgjidhjes në praninë e Zotit, 18 sidomos pasi nuk është shpënë gjaku i saj brenda në Shenjtërore, është dashur ta kishit ngrënë në Shenjtërore, si më qe urdhëruar”. 19 Aroni u përgjigj: “Sot, ja, u kushtua flia e mëkatimit dhe flia e shkrumbimit e tyre para syve të Zotit. Por, ti po sheh se çka më ndodhi! Si munda ta ha e t’i pëlqeja Zotit”?

20 Kur Moisiu i dëgjoi këto fjalë, e pranoi arsyetimin.

Levitiku: 11. Kafshët e pastra e të papastra:

11

1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:

2 “Tregonu bijve të Izraelit:

Këto janë kafshët që mund t’i hani prej të gjitha kafshëve të tokës:

3 Hani çdo kafshë që ka thundrën plotësisht të ndarë dhe që ripërtypet. 4 Por, mos i hani këto prej atyre që ripërtypen ose e kanë thundrën e ndarë: gamilen ‑ se edhe pse ripërtypet, nuk e ka thundrën e ndarë: çmoje ndër të papastra. 5 Hiraci, i cili ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë: është i papastër. 6 Po ashtu edhe lepuri, njëmend edhe ky ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë. 7 Thiu, i cili edhe pse e ka thundrën plotësisht të ndarë, nuk ripërtypet. 8 Mishin e këtyre kafshëve mos e hani dhe mos e prekni ngordhësirën e tyre ‑ sepse këto janë për ju të papastra”.

B. Kafshët ujore

9 “Këto janë kafshët që lejnë në ujë e mund të hahen: secilën që ka fletë e luspat qoftë në det e në lumenj e përrenj: mund ta hani: 10 Kurse çdo gjë e gjallë që nuk ka fletë e luspa, qoftë ajo zvarranik ose çfarëdo lloji kafshe tjetër që lëviz në ujë, le të jetë për ju e urryeshme 11 dhe le të mbetet e përbuzshme: mos e hani mishin e tyre as mos i prekni ngordhësirat e tyre. 12 Të gjitha kafshët që nuk kanë fletë e luspa, mbani për të papastra për ju”.

C. Shpendët

13 “Këta janë shpendët që nuk guxoni t’i hani e duhet t’i mbani për të papastër: shqiponja, shqiponja kufomëngrënëse, shqiponja e detit, 14 skifteri dhe çdo lloj sokoli, 15 çdo lloj korbi, 16 struci, kukuvajke, gjelaroje, gjeraçine e të gjitha llojeve; 17 huti, zhytrra, ibisi, 18 mjellma, pelikani, shqiponja qafë shogët, 19 lejleku, çdo lloj çapke, pupci dhe lakuriqi”.

Ç. Kafshë të tjera me krahë

20 “Të gjitha kandrrat me krahë, që ecin në katër këmbë, mbani për të papastra. 21 Prej të gjitha këtyre kandrrave që ecin në katër këmbë, por kanë këmbët e sprasme më të gjata e me pulpa, me anë të të cilave kërcejnë përmbi tokë, 22 mund t’i hani. Të tilla janë: të gjitha llojet e karkalecave, gjinkallave dhe bulkthi; 23 kurse të gjitha llojet e kandrrave të tjera me krahë, e që ecin me katër këmbë, mbani për të papastra. 24 Kushdo i prek ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër e do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 25 E kujtdo t’i duhet t’i mbartë ngordhësirat e cilëvedo prej tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në të perënduar të diellit.

26 Mbajeni për të papastër çdo kafshë që e ka thundrën të pandarë e nuk ripërtypet, e kush ta prekë, do të bëhet i papastër. 27 Çdo kafshë që ecën mbi putra të këmbëve, prej të gjitha kafshëve katërkëmbshe, mbajeni për të papastër; kush t’i prekë ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër deri në mbrëmje. 28 Po edhe ai që t’i mbarë ngordhësirat e tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në mbrëmje; sepse për ju të gjitha këto janë të papastra”.

Kafshë të vogla tokësore

29 “Prej kafshëve që hiqen zvarrë përmbi tokë, këto le të jenë të papastra për ju: bukla, miu e hardhuca e të gjitha llojeve të tyre, 30 hardhuca e murit, breshka, picrraga, urithi e kamaleoni: 31 të gjitha këto janë të papastra”.

Rregullore të tjera lidhur me prekje të papastra

“Kush t’i prekë ngordhësirat e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje; 32 e mbi çdo gjë të bjerë cilado prej ngordhësirave të tyre, le të jetë e papastër: çdo vegël e drunjtë, çdo petk, lëkurë, thes: çfarëdo gjëje të jetë: le të kalohen nëpër ujë e do të pastrohen deri në mbrëmje e veç atëherë do të bëhen të pastra. 33 Po ra ndonjë gjë prej tyre brenda në ndonjë enë dheu, thejeni: është e papastër. 34 Çdo ushqim që hani nëse i bie ndonjë pikë ujë prej aso ene, do të jetë i papastër dhe çdo lëng që pihet nga ena e tillë, do të jetë i papastër. 35 Po edhe në çkado që të bjerë prej ngordhësirave të këtyre, ajo gjë le të mbahet i papastër: qoftë ajo furrë ose vatër, le të rrënohet: janë të ndyta dhe le të mbeten për ju të papastra. 36 Kurse burimet dhe saranxhat si dhe grumbullimet e ujërave, le të jenë të pastra. Por kush ta prekë ngordhësirën e kafshës, le të jetë i papastër. 37 Nëse bie gjë prej ngordhësirës së tyre mbi farërat e drithërave, nuk do të mbahen të papastra. 38 Por nëse ndokush e lag farën me ujë e atëherë bie ndonjë gjë prej ngordhësirës së këtyre, le të jetë për ju e papastër.

39 Nëse ngordh ndonjë kafshë që guxoni ta hani, ai që do ta prekë ngordhësirën e saj, do të jetë i papastër deri në mbrëmje; 40 kush të hajë ndonjë gjë prej saj, ose e mbart ngordhësirën e saj, le t’i lajë petkat e veta dhe le të jetë i papastër deri në mbrëmje”.

Vështrime doktrinale

41 “Çdo kafshë që hiqet zvarrë përmbi tokë, është e papastër dhe të mos merret për ushqim. 42 Asnjë kafshë që hiqet zvarrë përmbi bark ose që ecën mbi katër ose më shumë këmbë ‑ që është zvarranik, mos e hani se është e papastër. 43 Mos i fëlliqni shpirtrat tuaj, dhe mos prekni asgjë prej tyre, që të mos fëlliqeni! 44 Unë jam Zoti, Hyji juaj! Shenjtërohuni që të jeni të shenjtë, sepse edhe unë jam i shenjtë. Mos i përdhosni shpirtrat tuaj me kurrfarë zvarraniku që hiqet barkas përmbi tokë. 45 Unë jam Zoti që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit që të jem Hyji juaj: jini të shenjtë, sepse edhe vetë jam i shenjtë”.

Përfundim

46 Ky është ligj që ka të bëjë me frymorët, me shpendët e me çdo gjallesë që jeton në ujë ose hiqet zvarr mbi tokë, 47 që ta dini dallimin ndërmjet të pastrës e të papastrës, që të dini cilën mund ta hani e cilën të mos e hani.

Levitiku: 12. Pastrimi i gruas pas lindjes

12

1 Zoti foli me Moisiun e i tha:

2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Kur gruaja shtatzënë lind djalë, është shtatë ditë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore. 3 Djali le të rrethpritet të tetën ditë; 4 kurse ajo të presë edhe tridhjetë e tri ditë për të pastruar gjakun e vet. Të mos prekë asgjë të shuguruar as të mos hyjë në shenjtërore derisa të kryhen ditët e pastrimit të saj.

5 Por, nëse lind vajzë, le të jetë dy javë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore, dhe le të presë edhe gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për të pastruar gjakun e vet.

6 Kur të kryhen ditët e pastrimit të saj për djalë ose për vajzë, le ta sjellë, te dera e Tendës së takimit, një qengj vjetak për fli shkrumbimi dhe një pëllumb ose turtull për fli të mëkatimit e t’ia japë priftit. 7 Prifti le t’i kushtojë para Zotit e, kur të ketë bërë mbi të ritin e zgjidhjes, do të jetë pastruar prej derdhjes së gjakut: kjo është rregullore lidhur me gruan që lind djalë apo vajzë.

8 Por, nëse nuk ka mjete të kushtojë një qengj, le të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, njërin për fli të shkrumbimit e tjetrin për fli të mëkatimit; prifti le të kryejë mbi të ritin e zgjidhjes dhe ajo do të pastrohet”.

Gërbula e njeriut

A. Mëllëri, rrebulli e njolla

Levitiku: 13. Gërbula e njeriut

13

1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:

2 “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose te cilido prift prej bijve të tij. 3 Prifti le ta shikojë pjesën e sëmurë të lëkurës. Nëse qimja në vendin e sëmurë është bërë e bardhë dhe duket se varra është më e thellë se lëkura në mish: është sëmundja e gërbulës. Pasi prifti ta ketë shikuar, le ta shpallë të papastër. 4 Por, në qoftë se njolla e bardhemtë në lëkurë nuk duket se ka depërtuar më thellë në mish dhe nëse qimja nuk ka ndryshuar e është zbardhuar, prifti le ta mbajë veçuar për shatë ditë. 5 Të shtatën ditë le ta shikojë përsëri, në qoftë se njolla nuk është rritur më tepër e nuk është përhapur edhe më tepër në lëkurë, le ta mbajë përsëri të veçuar edhe shtatë ditë të tjera. 6 Të shtatën ditë le ta shikojë përsëri: nëse vëren se njolla e ka humbur shndritësinë e mëparshme dhe nëse nuk është përhapur më tepër në lëkurë, le ta shpallë të pastër: sepse është vetëm kromë. Njeriu le t’i lajë petkat e veta e do të jetë i pastër. 7 Por, në qoftë se pasi prifti ta ketë parë dhe shpallur të pastër, kroma rritet përsëri, le të sillet te prifti 8 e prifti le ta shikojë prapë. Nëse kroma është përhapur vërtet më fort, prifti le ta shpallë të papastër: është gërbula”.

B. Gërbula e vjetruar

9 “Nëse ndokujt i shfaqet sëmundja e gërbulës, i tilli le të sillet te prifti 10 e ky le ta shikojë. Nëse mëllëri në lëkurë është bërë i bardhë e qimet t’i jenë shndërruar në të bardhemtë e mishi i është enjtur në çiban të gjallë, 11

le të shpallet gërbulë e kahmotshme e zhvilluar në lëkurë. Prifti le ta shpallë të papastër e s’ka nevojë ta veçojë sepse është e qartë se është i papastër.

12 Porse, nëse gërbula e përhapur mbi lëkurë në mënyrë që e përfshin tërë lëkurën prej majës së kresë deri në fund të këmbëve, në të gjitha pjesët e trupit që prifti mund t’i shohë, 13 prifti le ta shikojë. Nëse gërbula ia ka përfshirë tërë trupin, le ta shpallë të pastër, pasi është gërbula e kthyer në ngjyrë plotësisht të bardhë, e prandaj edhe njeriu le të shpallet i pastër. 14 Por, kur të shfaqet në të mish i gjallë, le të shpallet i papastër. 15 Kur ta ketë shikuar prifti, le ta çmojë ndër të papastër: mishi i gjallë është i papastër: është gërbula. 16 Por, nëse shndërrohet prapë në të bardhë, le të vijë te prifti, 17 e ky, pasi ta ketë vërtetuar se është ashtu, le ta shpallë të pastër”.

C. Mëllëri

18 “Kur ndokush ka pasur në lëkurë e mish ndonjë mëllë që është shëruar, 19 por aty ku ka qenë mëllëri del i thatë i bardhë ose njollë e kuqrremtë, i tilli le të shkojë ta vështrojë prifti. 20 Prifti pasi ta ketë vërtetuar se vendi i njollës është më thellë në mish se tjetërkund dhe se qimet i janë zbardhuar, le ta shpallë të papastër: është rasti i gërbulës që shpërthen në çiban. 21 Por, nëse prifti sheh se qimja nuk ka ndryshuar ngjyrën, vrraga është e murrme dhe nuk është më thellë se mishi rreth saj, le ta mbajë të veçuar për shtatë ditë. 22 E, në qoftë se rritet, le ta vlerësojë gërbulë; 23 por, nëse qëndron vetëm në vendin e vet e njolla nuk rritet, është vrraga e mëllërit, dhe prifti ta vlerësojë të pastër”.

Ç. Djegia

24 “Nëse ndokush djeg lëkurën në zjarr, dhe vendi i djegur merr dukjen e dangës së murrme ose të bardhë, 25 le ta shikojë prifti, dhe nëse qimja i është shndërruar në të bardhë dhe vendi i saj është më thellë se lëkura rreth saj, le ta shpallë të papastër, sepse është gërbula që shpërthen nga djegia. 26 Por, në qoftë se ngjyra e qimeve nuk ka ndryshuar, dhe njolla nuk është më thellë se mishi në tjetër vend dhe vetë duka e gërbulës disi e errët, le ta mbajë të veçuar për shtatë ditë. 27 Të shtatën ditë le ta vërejë. Nëse në lëkurë rritet njolla, le ta shpallë të papastër: është gërbulë. 28 Ndryshe, nëse njolla s’është përhapur nga ai vend dhe nuk është mjaft e qartë, atëherë është enjtje nga djegia, e prandaj le ta shpallë të pastër, sepse është vrragë e djegies.”

D. Sëmundjet e pjesëve leshtore të trupit

29 “Nëse ndonjë burri ose gruaje i shfaqet në kokë ose në mjekër ndonjë varrë, le ta shikojë prifti. 30 E në qoftë se vendi është më i thellë se mishi rreth saj e qimja si e zverdhuar dhe më e hollë se rëndom, le t’i shpallë të papastër: është qerosa, d. m. th. gërbula në kokë ose në mjekërr. 31 Ndryshe, nëse sheh se varra e qerosës nuk është më e thellë se mishi rreth saj dhe, ja, qimja në të nuk është e zezë, le t’i ndajë për shtatë ditë. 32 Të shtatën ditë le ta vërejë varrën, nëse qerosa nuk përhapet edhe më, dhe nëse qimja në të nuk është bërë e zezë, dhe duket se vendi i varrës është i njënjëshëm me pjesën tjetër, 33 i tilli le të rruhet përveç vendit të sëmurë, e prifti le ta mbajë të veçuar edhe për shtatë ditë të tjera. 34 Nëse varra duket se të shtatën ditë s’është përhapur nga ai vend, dhe se nuk është më thellë se mishi rreth saj, prifti le ta shpallë të pastër; pasi t’i ketë larë petkat, le të jetë i pastër. 35 Porse, në qoftë se pasi shpallet pastërtia, qerosa rritet përsëri në lëkurë, 36 prifti as të mos shikojë më a ka qime të verdhë, sepse është e qartë se është i papastër. 37 Por, nëse vëren se ka zënë vend qerosa dhe kanë dalë qime të zeza, le ta dijë se ai njeri është shëruar dhe le ta shpallë të pastër”.

DH. Kurteshi

38 “Kur t’u dukën ndonjë burri ose gruaje në lëkurë të tyre njolla të bardha, le t’i shikojë prifti. 39 Nëse sheh se ato njolla janë në lëkurë të bardha disi në të mbyllët le ta dijë se në lëkurë u ka dalë kurteshi: është i pastër”.

E. Tullacia

40 “Njeriut, të cilit flokët i bien prej kokës, është tullac, prandaj është i pastër; 41 nëse flokët i bien në pjesën e përparme është i shogët, por i pastër. 42 Por, nëse në tullacinë ose në shogën e tij duket varrë e bardhë ose e kuqrremtë në të bardhë, është gërbula e kresë. 43 Prifti le ta shikojë dhe, ja, nëse është çibani i kuqrremtë që i përngjan gërbulës së lëkurës së mishit, 44 njeriu është i gërbulur, dhe prifti le ta shpallë të papastër pa farë ngurrimi: gërbulën e ka në kokë”.

Gjendja e të gërbulurit

45 “I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”. 46 Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë zemërimiës”.

Gërbula e petkave

47 “Kur gërbula të shfaqet në të veshme, qofshin ato të leshta ose të linjta, 48 qoftë në end e qoftë në ind të linjtë apo të leshtë, ose në lëkurë; ose edhe në çfarëdo petku lëkure, 49 nëse danga është e zbehtë ose e kuqe, le të mbahet për gërbulë e le t’i dëftohet priftit. 50 Prifti le ta shikojë petkun me njolla, ta lërë në vend të veçuar shtatë ditë. 51 Të shtatën ditë ta shikojë përsëri, nëse sheh se është rritur, është gërbulë që pushon; le ta çmojë petkun dhe gjithçka ku është gjetur aty të papastër, 52 e prandaj le të digjet në flakë. 53 Nëse sheh se nuk është përhapur, 54atëherë le të urdhërojë ajo gjë, në të cilin është njolla, të lahet e le ta mbajë të ndryrë edhe shtatë ditë të tjera. 55 E kur të shohë se pasi të lahet nuk ka ndryshuar pamjen, edhe pse njolla nuk është përhapur, le të çmohet gjë e papastër, dhe të digjet në zjarr: është e kalbur si në të mbarën si në të mbrapshtën. 56 Po në qoftë se danga është më e mbyllët, pasi sendi të jetë larë, prifti ta shqyejë atë pjesë e ta ndajë nga pjesa e shëndoshë. 57 Po nëse danga edhe pas kësaj dëftohet në këto gjëra, ku më parë s’kishin danga, është gërbulë fluturuese e endacake, digji të gjitha. 58 Kurse atyre petkave që, pasi t’i ketë larë, humbi njolla, t’i lajë edhe një herë, e do të jenë të pastra.

59 Këto janë rregullore për sëmundjen e gërbulës së petkave të leshta e të linjta, në end e në ind dhe të çdo petku lëkure për t’u shpallur të pastra ose të papastra”.

Levitiku: 14. Pastrimi i gërbulanit

14

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Ky është riti që duhet të përdorohet për pastrimin e të gërbulurit. Le të sillet te prifti. 3 Prifti le të dalë prej zemërimiës e, pasi të ketë vërtetuar se gërbula është shëruar, 4 le të urdhërojë që të merren, për atë që duhet të pastrohet, dy shpendë të pastër të gjallë, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop. 5 Atëherë prifti le të urdhërojë të pritet njëri shpend në enë dheu përmbi ujëra të gjalla. 6

Shpendin tjetër të gjallë bashkë me dru cedri, me pëlhurë të kuqe e me hisop le ta ngjyejë në gjakun e shpendit të flijuar përmbi ujërat e gjalla. 7 Atë që duhet të pastrohet le ta stërpikë shtatë herë me gjak për t’u pastruar si duhet. Atëherë le ta lëshojë shpendin e gjallë të fluturojë i lirë në fushë. 8 Pasi njeriu t’i ketë larë petkat e veta, le t’i rruajë të gjitha qimet në trupin e vet e le të lahet me ujë. Kështu njeriu pasi të jetë pastruar dhe le të hyjë në zemërimië, por të mos hyjë në tendën e vet për shtatë ditë. 9 Të shtatën ditë le t’i rruajë të gjitha qimet e kresë, mjekrrën, vetullat dhe të gjitha qimet e trupit të vet, le t’i lajë petkat e veta dhe krejt trupin e vet me ujë, dhe do të jetë i pastër.

10 Të tetën ditë le të marrë dy qengja të pa të metë, një qengje vjetake të pa të metë, tri të dhjetat e efit majë mielli të përgatitur me vaj për flinë kushtimore bimore dhe një log vaj.

11 Prifti që mbarështon pastrimin e paraqet para Zotit te dera e Tendës së takimit me të gjitha këto.

12 Prifti merr njërin qengj dhe e paraqet atë fli shpërblimi bashkë me logun e vajit,

‑ ai i kushton të gjitha me ritin e paraqitjes përpara Zotit.

13 Atëherë le ta presë qengjin aty ku pritet flia e mëkatimit dhe flia e shkrumbimit, d. m. th. në vendin e shuguruar, sepse si flia e shpërblimit ashtu flia e mëkatimit i përket priftit: është shumë e shenjtë.

14 Prifti merr ca prej gjakut të flisë së shpërblimit, i vë atij që do të pastrohet në bulën e veshit të djathtë dhe mbi pëlqyerin e dorës e të këmbës së tij të djathtë;

15 atëherë prifti merr ca prej logut të vajit e qet pak në shuplakën e dorës së vet të majtë;

16 atëherë prifti e ngjyen gishtin e djathtë në vaj që ka në dorën e majtë dhe me të stërpik shtatë herë para Zotit.

17 Prej vajit që i mbetet në shuplakën e dorës së majtë prifti le t’i lyejë në vend ku e ka pasë lyer me gjakun e flisë së shpërblimit, bulën e veshit të djathtë atij që pastrohet dhe pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë të tij,

18 e tepricën e zbraz mbi kokë të atij që pastrohet,

‑ dhe para Zotit e kryen ritin e zgjidhjes së tij.

19 Tani prifti kryen flinë e mëkatimit;

‑ dhe kryen ritin e zgjidhjes së atij që pastrohet.

‑ Tashti le të therë edhe flinë e shkrumbimit;

20 flinë e shkrumbimit e vë përmbi lter bashkë me flinë kushtimore bimore,

‑ dhe kryen ritin e zgjidhjes për të.

Kështu njeriu është rregullisht i pastruar.

21 Por, në qoftë se është skamnor e nuk është në gjendje t’i fitojë ato qi i duhen, le të marrë vetëm një qengj për flinë e shpërblimit me ritin e paraqitjes që prifti ta kryejë për të ritin e zgjidhjes si dhe të dhjetën pjesë të efit endës të përgatitur me vaj si fli kushtimore bimore edhe një log vaj, 22 dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, të cilët t’i ketë përdoresh, njërin fli të shkrumbimit e tjetrin fli të mëkatimit. 23 Të tetën ditë pasi të pastrohet le t’ia sjellë këto priftit te dera e Tendës së takimit në praninë e Zotit. 24 Prifti le ta marrë qengjin për shpërblim bashkë me logun e vajit dhe le t’i kushtojë me ritin e paraqitjes para Zotit; 25 e pasi ta ketë prerë qengjin fli të shpërblimit, të marrë ca prej gjakut të tij dhe le t’i vërë në bulën e veshit të djathtë të atij që pastrohet edhe mbi pëlqyer të dorës e të këmbës së tij të djathtë. 26 Atëherë prifti le të qesë një pjesë të vajit në shuplakën e dorës së vet të majtë. 27 Në atë vaj le ta ngjyejë gishtin e dorës së djathtë, le të stërpikë shtatë herë në praninë e Zotit; 28 pastaj le t’ia prekë me vaj bulën e veshit të djathtë atij që pastrohet si dhe pëlqyerët e dorës dhe të këmbës së djathtë, mbi vendin e gjakut të flisë së shpërblimit. 29 Pjesën tjetër të vajit që është në dorën e majtë, le ta qesë mbi kokë të njeriut që pastrohet, për ritin e zgjidhjes së tij para Zotit. 30 Turtujt ose zogjtë e pëllumbave që mundi t’i fitojë le t’i flijojë 31 njërin për fli të shpërblimit e tjetrin fli të shkrumbimit bashkë me flinë kushtimore bimore të endës e kështu prifti le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes para Zotit”.

32 Kjo është flia e gërbulanit që nuk është në gjendje t’i ketë të gjitha që duhen për pastrimin e tij.

Gërbula e shtëpive

33 Zoti i tha Moisiut e Aronit:

34 “Kur të keni hyrë në dheun e Kanaanit, që unë do t’jua jap për pronë, nëse do të ndodhë të ketë sëmundje të gërbulës në shtëpitë e pronës tuaj, 35 i zoti i asaj shtëpie le të shkojë ta lajmërojë priftin e le t’i thotë: ‘Më duket se shtëpinë time e ka kapur gërbula’. 36 Prifti atëherë le të japë urdhër të hidhet jashtë gjithçka është në atë shtëpi para se ai të hyjë brenda për të parë sëmundjen, që të mos shpallen të gjitha ato gjëra që janë në shtëpi të papastra. Atëherë le të hyjë për ta vështruar shtëpinë. 37 E, kur të shohë se në muret e saj ka gropëza të zverdhura dhe të kuqrremta dhe më të thella se sipërfaqja tjetër, 38 le të dalë prej derës së shtëpisë e ta mbyllë menjëherë për shtatë ditë. 39 Të shtatën ditë le të kthehet e ta shikojë; nëse gjen se është rritur sëmundja, 40 le të japë urdhër të hiqen gurët në të cilët është sëmundja e lë të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit; 41 kurse shtëpia le të urdhërojë të gërryhet përbrenda rreth e rreth dhe pluhurin e të gërryerit le ta hedhin jashtë qytetit në një vend të papastër. 42 Le të vihen gurë të tjerë në vend të atyre që u hoqën dhe shtëpia le të lyhet me llaç tjetër.

43 E nëse sëmundja shfaqet përsëri në shtëpi, pasi të jenë hequr gurët dhe të jetë gërryer dhe prapë të jetë lyer me llaç tjetër, 44 e kur të hyjë prifti sheh se njolla është rritur në shtëpi: atëherë në shtëpi është gërbula dhe shtëpia është e papastër. 45 Shtëpia le të rrënohet dhe gurët e saj, lëndët dhe tërë llaçi i saj të hidhen jashtë qytetit në një vend të papastër. 46 Kush të hyjë në shtëpi pasi të jetë mbyllur, le të jetë i papastër deri në mbrëmje; 47 kurse kush të flejë në të ose të hajë në të ndonjë gjë, duhet t’i lajë petkat e veta.

48 Nëse prifti hyn e sheh se njolla nuk është rritur në shtëpi, pasi të jetë lyer përsëri, le ta shpallë atë të pastër: sëmundja është shëruar.

49 Për pastrimin e saj le të marrë ‑ dy shpendë të gjallë, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop: 50 le ta presë njërin shpend mbi një enë dheu që ka brenda ujë të gjallë, 51 atëherë le të marrë dru cedri, pëlhurën e kuqe, hisopin dhe shpendin e gjallë dhe le t’i zhysë të gjitha në gjakun e shpendit të flijuar dhe në ujin e gjallë e le ta stërpikë shtëpinë shtatë herë. 52 Kështu ai do ta pastrojë shtëpinë si me gjakun e shpendit ashtu me ujërat e gjalla, me shpendin e gjallë e me dru të cedrit, me hisop e me pëlhurë të kuqe. 53 Pastaj e lëshon të fluturojë i lirë shpendi i gjallë në drejtim të fushës jashtë qytetit e atëherë bën ritin e zgjidhjes për shtëpinë. Atëherë ajo është e pastër.

54 Kjo është rregullore për çdo lloj gërbule dhe qerose, 55 për gërbulë petkash e shtëpish, 56 të mëllërit, rrebullit e të njollës, 57 që të mund të dihet sa kohë është diçka e papastër ose e pastër”.

Papastria seksuale:

A. Për mashkullin

Levitiku: 15. Papastria seksuale:

15

1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha: 2 “Thuajuni bijve të Izraelit: Kur ndonjë njeri të ketë derdhje prej vetes, kjo derdhje është e papastër. 3 Ja në çka qëndron kjo papastërti: nëse trupi i tij e lëshon këtë derdhje ose edhe nëse s’e lëshon: është i papastër. 4 Çdo shtrojë ku ai të shtrihet do të jetë e papastër dhe çdo gjë në të cilin të rrijë, do të jetë i papastër. 5 Çdo njeri që ta prekë shtratin e tij, ai duhet t’i lajë petkat e veta dhe ai vetë duhet të lahet me ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër. 6 Nëse ulet në vend ku ai pati ndenjur, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë, e do të jetë deri në mbrëmje i papastër. 7 Kush ta prekë trupin e tij, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë me ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër. 8 Nëse njeriu i tillë pështyn dikënd që është i pastër, ky le t’i lajë petkat e veta, le të lahet vetë në ujë e le të jetë deri në mbrëmje i papastër. 9 Çdo shalë mbi të cilën ka ndenjur, le të jetë e papastër. 10 Kushdo që ta prekë çdo gjë që ka qenë nën atë që vuan nga të derdhurit e farës, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ai që të mbartë ndonjë gjë prej këtyre, le ta lajë të veshmen e vet e le të lahet vet në ujë dhe le të jetë i papastër deri në mbrëmje. 11 Dhe secili, kë ta prekë me duar të palara ai që vuan nga të derdhurit e farës, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë me ujë dhe le të mbetet i papastër deri në mbrëmje. 12 Nëse e prek enën prej dheu, le të thehet, kurse ena e drurit, le të lahet me ujë.

13 Nëse shërohet ai që vuan na kjo sëmundje, atëherë le t’i numërojë shtatë ditë për pastrimin e vet e, pasi t’i ketë larë petkat e të jetë larë vetë në ujë të gjallë, le të jetë i pastër. 14 Të tetën ditë le t’i marrë dy turtuj ose dy pëllumba, le të vijë të paraqitet te Zoti te dera e Tendës së takimit e le t’ia japë ata priftit. 15 Prifti njërin le ta kushtojë fli mëkatimi e tjetrin fli shkrumbimi; prifti le të kryejë mbi të para Zotit ritin e zgjidhjes dhe i tilli do të pastrohet nga sëmundja e derdhjes.

16 Kur ndonjë njeri ka pasur të derdhurit e farës, le ta lajë me ujë krejt trupin e vet e le të mbesë i papastër deri në mbrëmje. 17 Petkun dhe lëkurën mbi të cilën ka rënë fara e derdhur, le ta lajë me ujë dhe le të mbetet e papastër deri në mbrëmje.

18 Kur burrë e grua të bien si burrë e grua, të dyve u duhet të lahen me ujë e janë të papastër deri në mbrëmje”.

B. E gruas

19 “Gruaja që në krye të muajit vuan nga derdhja e gjakut, le të jetë shtatë ditë e papastër. Kushdo që ta prekë do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 20 Në çkado të shtrihet ose të rrijë ndenjur ajo gjatë kohës së ndarjes, do të jetë e papastër. 21 Kush ta prekë shtrojën e saj, le t’i lajë petkat e veta dhe pasi të jetë larë edhe ai vetë, le të mbesë i papastër deri në mbrëmje. 22 Çdo ulëse mbi të cilën ajo të ketë ndenjur, kush ta prekë, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet në ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër. 23 Dhe kushdo të prekë shtrojën e çkado që ka qenë mbi shtrojën e saj ose mbi çdo gjë mbi të cilin ajo ka ndenjur, le të jetë i papastër deri në mbrëmje. 24 Ai njeri që të bjerë me të si burrë e grua në kohën e derdhjes mujore të gjakut, le të jetë i papastër për shtatë ditë, dhe çdo shtrojë në të cilën të flejë, le të jetë e papastër.

25 Gruaja që vuan për shumë ditë prej derdhjes së gjakut jo në kohën e pastrimit mujor ose nuk i pushon derdhja mujore e gjakut, derisa të vuajë nga kjo sëmundje, le të jetë e papastër si të ishte në derdhjen mujore të gjakut. 26 Çdo shtrojë në të cilën të flejë dhe send në të cilin të rrijë, le të jetë i papastër. 27 Kushdo t’i prekë ato, le të jetë i papastër; le t’i lajë petkat e veta dhe ai vetë le të lahet me ujë dhe le të mbetë i papastër deri në mbrëmje. 28 Nëse i ndalet gjaku dhe pushon së rrjedhuri, le t’i numërojë shtatë ditë e atëherë do të jetë e pastër. 29 Të tetën ditë le të marrë për vete dy turtuj ose dy pëllumba e le t’ia japë priftit te dera e Tendës së takimit. 30 Prifti njërin le ta kushtojë si fli mëkatimi, kurse tjetrin si fli shkrumbimi. Atëherë le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes para Zotit për ndotjen e rrjedhjes së gjakut të saj”.

Përfundimi

31 “Mësoni, pra, bijtë e Izraelit që t’i ruhen papastrisë, që të mos vdesin në ndotjet e veta duke e përdhosur Banesën time që është ndër ju. 32 Kjo është rregullore për njeriun që pëson nga sëmundja e derdhjes së farës dhe prej të cilit derdhet fara e bëhet i papastër, 33 dhe për gruan që është e papastër për shkak të derdhjes mujore të gjakut ose që vazhdon të derdhë gjak edhe më tutje, dhe për njeriun që fle me gruan e papastër”.

Levitiku: 16. Dita e madhe e pajtimit

16

1 Zoti foli me Moisiun pasi vdiqën dy bijtë e Aronit, të cilët qenë vrarë kur u afruan në praninë e Zotit, 2 dhe i urdhëroi:

“Thuaj Aronit, vëllait tënd, të mos hyjë në çdo kohë në Shenjtërore që është pas tisit, para Pajtimores me të cilën mbulohet Arka, që të mos vdesë. Unë do të dëftohem në re përmbi Pajtimore.

3 Le të hyjë në këtë mënyrë: le të marrë një mëzat për fli për mëkat dhe një dash për fli shkrumbimi. 4 Le të veshë këmishën e shenjtëruar të linjtë, le t’i veshë edhe të linjtat e linjta, të ngjeshet me brez të linjtë e në kokë le të vërë kësulën e linjtë. Këto janë petkat e shuguruara që duhet t’i veshë të gjitha pasi të jetë larë me ujë.

5 Le të marrë prej bashkësisë së izraelitëve dy cjep për fli mëkatimi e një dash për fli shkrumbimi.

6 Pasi Aroni ta ketë kushtuar mëzatin fli për mëkat të vet e ta ketë kryer ritin e zgjidhjes për vete e për shtëpinë e vet, 7 le t’i vërë në praninë e Zotit dy cjeptë në hyrje të Tendës së takimit. 8 Atëherë Aroni le të qesë short mbi dy cjeptë: njërin short “Për Zotin” e shortin tjetër “Për Azazelin”. 9 Cjapin që me short t’i ketë rënë Zotit, le ta kushtojë fli mëkatimi, 10

kurse atë që me short do t’i bjerë Azazelit, le ta vërë të gjallë në praninë e Zotit për të kryer mbi të ritin e zgjidhjes e për t’ia shpënë Azazelit në shkretëtirë.

11 Le ta marrë, pra, Aroni mëzatin për fli mëkatimi e pasi ta ketë kryer ritin e zgjidhjes për vete e për shtëpinë e vet, le ta therë. 12 Le ta marrë kemoren, le ta mbushë me prush prej lterit që është në praninë e Zotit, le të marrë një parë grushta temjam të erëndshëm për kemim në praninë e Zotit e të hyjë përtej tisit në Shenjtërore. 13 Le ta qesë kemin e erëndshëm në zjarr në praninë e Zotit që reja e tymit të tij ta mbulojë Pajtimoren që është mbi Dëshminë. 14 Pastaj të marrë ca prej gjakut të mëzatit e me gisht të stërpikë shtatë herë përballë të Pajtimores.

15 Pasi ta ketë prerë capin fli për mëkat të popullit, le ta shtjerë gjakun e tij brenda tisit siç u urdhërua për gjakun e mëzatit për ta stërpikur Pajtimoren përballë. 16 Atëherë le ta kryejë ritin e zgjidhjes mbi Shenjtërore për papastritë, për padëgjesat e për të gjitha mëkatet e izraelitëve. Po kështu le të veprojë edhe për Tendën e takimit që është e ngrehur ndër ta, mes papastrisë të banimit të tyre. 17 Asnjë njeri të mos jetë në Tendën e takimit kur kryeprifti të hyjë në Shenjtërore për të bërë ritin e zgjidhjes për vete, për shtëpinë e vet e për mbarë bashkësinë e izraelitëve derisa ai të dalë. 18 Kur të ketë dalë te lteri që është para Zotit, le ta kryejë edhe mbi të ritin e zgjidhjes: le të marrë gjakun e mëzatit e të cjapit e le ta qesë mbi brirët e tij gjithkund përreth, 19 le ta stërpikë shtatë herë me gjak me gisht, le ta pastrojë prej papastrive të bijve të Izraelit e le ta shenjtërojë.

20 Pasi ta ketë kryer ritin e zgjidhjes të Shenjtërores, të Tendës së takimit e të lterit, atëherë ta sjellë cjapin e gjallë. 21 Atëherë Aroni le t’ia vërë të dy duart e veta mbi kokë cjapit, përmbi të le t’i rrëfejë të gjitha paudhësitë, fajet e mëkatet e bijve të Izraelit. Pasi t’i ketë shkarkuar kështu mbi kokën e cjapit, le ta çojë atë me anë të një njeriu të përshtatshëm në shkretëtirë.

22 Pasi cjapit t’ia ketë ngarkuar mbi vete të gjitha fajet e izraelitëve e ta ketë shpënë në vend të pabanuar e pasi të ketë qenë lëshuar në shkretëtirë, 23 atëherë le të hyjë Aroni në Tendën e takimit, le t’i heqë petkat e linjta, me të cilat u vesh më parë, kur hyri në Shenjtërore, le t’i lërë aty, 24 atëherë në vendin e shenjtë le ta lajë trupin e vet me ujë dhe le t’i veshë petkat e veta. Atëherë le të dalë për të kushtuar flinë e vet të shkrumbimit e të popullit, dhe le ta kryejë ritin e zgjidhjes për vete e për popull. 25 Dhjamin e flisë së mëkatimit le ta djegë mbi lter.

26 Kurse ai që e shpuri capin e lëshuar për Azazelin, le t’i lajë petkat e veta e trupin e vet me ujë e atëherë le të hyjë në zemërimië.

27 Kurse mëzatin e cjapin që qenë kushtuar fli të mëkatimit, gjaku i të cilëve qe shpënë në Shenjtërore që të kryhej riti i zgjidhjes, le t’i çojnë jashtë zemërimiës e le të digjen në zjarr lëkurat, mishi dhe uti i tyre. 28 Ai që t’i djegë le t’i lajë petkat e veta, le ta lajë trupin e vet me ujë e vetëm atëherë le të hyjë në zemërimië.

29 Ky ligj le të jetë për ju i pandryshueshëm: të shtatin muaj, të dhjetën ditë të muajit, agjëroni e mos bëni asnjë punë: as vendasi as i ardhuri që banon ndër ju. 30 Këtë ditë do të bëhet mbi ju riti i zgjidhjes me qëllim që të pastroheni. Ju do të jeni të pastër para Zotit prej të gjitha mëkateve tuaja. 31 Le të jetë për ju pushim shtunor, kur agjëroni. Ligj i përhershëm.

32 Ritin e zgjidhjes le ta kryejë prifti i shuguruar që ka qenë veshur me pushtet për të kryer shërbesën priftërore në vend t’et. Le të vishet me petkat e linjta të shuguruara 33 le ta kryejë ritin e zgjidhjes mbi Shenjtëroren tejet të shenjtë, Tendën e takimit, lterin, priftërinjtë, dhe mbarë bashkësinë e popullit. 34 Kështu le të jetë për ju ligj i përhershëm lidhur me ritin e zgjidhjes, një herë në vit, të gjitha mëkateve të bijve të Izraelit”.

E u bë si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

Levitiku: 17. Kushtimet e flitë

17

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me Aronin, me bijtë e tij e me të gjithë bijtë e Izraelit dhe thuaju:

Ja fjala që Zoti urdhëroi:

3 Secili njeri i shtëpisë së Izraelit nëse e pret kaun ose delen ose dhinë në zemërimië ose jashtë zemërimiës, 4 e nuk i bie në hyrje të Tendës së takimit që t’i kushtohet dhuratë Zotit në Banesën e Zotit, do të vlerësohet fajtor i gjakderdhjes: ka derdhur gjakun dhe le të zhduket prej gjirit të popullit të vet. 5 Prandaj, bijtë e Izraelit, në vend që t’i kushtojnë flitë e veta në fushë, le t’i sjellin te Zoti e le t’ia paraqesin priftit te hyrja në Tendën e takimit, e le t’i kushtojnë Zotit si fli pajtimi. 6 Prifti le ta derdhë gjakun mbi lterin e Zotit te hyrja në Tendën e takimit dhe le ta djegë dhjamin në erë të këndshme Zotit. 7 Kështu, pra, të mos u kushtojnë më assesi flitë e veta djajve, me të cilët bëjnë lavirësi, le të jetë ky ligj i pandryshueshëm për ta dhe për breznitë e tyre të ardhshme”.

8 E atyre thuaju:

“Ai izraelit ose edhe ai i ardhur që banon ndër ju, i cili të kushtojë fli shkrumbimi ose çdo fli, 9 dhe nuk e sjell theroren te hyrja e Tendës së takimit me qëllim që t’i kushtohet Zotit: le të zhduket prej popullit të vet.

10 Po edhe cilido njeri i shtëpisë së Izraelit ose prej të ardhurve që banojnë ndër ta që do të guxojë të hajë gjakun, unë do të kthehem kundër njeriut të tillë e do ta humbas prej popullit të tij. 11 Sepse jeta e gjallesës është në gjak. Kjo është arsyeja që unë jua kam dhënë ta vëni mbi lter për të shpërblyer jetën tuaj; gjaku shpërblen, sepse është jetë. 12 Prandaj, edhe u kam thënë izraelitëve: askush prej jush as prej të huajve, që jetojnë ndër ju, të mos e hajë gjakun.

13 Në qoftë se një njeri, pjesëtar i bijve të Izraelit ose prej atyre të huajve që banojnë ndër ju, nëse zë në gjueti ndonjë kafshë të egër ose ndonjë shpend, që guxohet të merren për ushqim, le t’ia derdhë gjakun e tij e le ta mbulojë me dhe. 14 Sepse jeta e çdo gjallese, gjaku i saj është, prandaj edhe u thashë bijve të Izraelit: mos e hani gjakun e asnjë qenie të gjallë, sepse jeta e çdo gjallese është gjaku i saj. Kushdo që ta hajë, duhet të mbarojë.

15 Njeriu që do ta hajë mishin e bagëtisë së ngordhur natyrisht ose të copëtuar nga egërsira, qoftë ai vendas ose i ardhur ndër ju, le t’i lajë petkat e veta dhe vetë le të lahet me ujë le të jetë i papastër deri në mbrëmje. Atëherë do të bëhet i pastër. 16 Por, nëse nuk i lan petkat e veta e nuk lahet vetë me ujë, le ta mbartë peshën e paudhësisë së vet”.

Levitiku: 18. Ndalime në jetën seksuale

18

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Unë jam Zoti, Hyji juaj! 3 Mos veproni si veprohet në dheun e Egjiptit ku keni jetuar dhe mos bëni siç bëhet në dheun e Kanaanit, ku unë do t’ju çoj: ruhuni se i ndiqni doket e tyre! 4 Zbatoni rregullat e mia, mbani ligjet e mia, jetoni sipas urdhërimeve të mia.

Unë jam Zoti, Hyji juaj: 5 mbani ligjet e urdhërimet e mia. Ai njeri që do t’i zbatojë, do ta gjejë jetën në to.

Unë jam Zoti.

6 Askush të mos i afrohet farefisnorit të vet të afërm për t’i zbuluar lakuriqësinë e tij.

Unë jam Zoti.

7 Mos e zbulo lakuriqësinë e babait e të nënës sate: ajo është nëna jote: mos e zbulo lakuriqësinë e saj.

8 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së babait tënd: sepse është lakuriqësia e babait tënd.

9 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës sate qoftë prej babait e qoftë prej nënës, qoftë e lindur në shtëpi apo jashtë.

10 Mos e zbulo lakuriqësinë e bijës së birit tënd as lakuriqësinë e bijës së bijës sate: sepse lakuriqësia e tyre është lakuriqësia jote.

11 Mos ia zbulo lakuriqësinë vajzës së gruas së babait tënd, që ia lindi babait tënd: është motra jote.

12 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së babait tënd, sepse është mishi i babait tënd.

13 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është mishi i nënës sate.

14 Mos e zbulo lakuriqësinë e ungjit tënd! D. m. th. mos iu afro gruas së tij! Sepse është gruaja e ungjit tënd.

15 Mos e zbulo lakuriqësinë e resë sate! Ajo është gruaja e djalit tënd! Mos e zbulo lakuriqësinë e saj!

16 Mos e zbulo lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd, sepse është lakuriqësia e vëllait tënd.

17 Mos e zbulo lakuriqësinë e ndonjë gruaje e të bijës së saj. Mos u marto me vajzën e birit të saj as me vajzën e vajzës së saj për t’ua zbuluar lakuriqësinë e tyre, sepse janë mishi i saj: është punë e turpshme!

18 Mos e merr për grua motrën e gruas sate sa të jetë gruaja gjallë që të mos nxitësh mendjen e zezë duke i zbuluar lakuriqësinë e saj.

19 Mos iu afro gruas që vuan nga pastrimi mujor dhe mos ia zbulo ndytësinë e saj.

20 Mos bjer me gruan e të afërmit tënd që të mos dangosesh me përzierjen e farës.

21 Nuk guxon të japësh ndonjë fëmijë t’i flijohet Molokut, nuk guxon ta çnderosh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti!

22 Mos bjer me mashkull siç bihet me femër! Është vepër e tmerrshme!

23 Mos fëlliqëso me bagëti, mos u përdhos me të! Gruaja të mos fëlliqësojë me bagëti! Do të ishte një përdhosje e çoroditur.

24 Me asnjë prej këtyre mos u përdhosni! Me këto janë fëlliqur popujt, që unë do t’i zhduk para fytyrës tuaj!

25 Me to edhe toka u bë e papastër. Këndej edhe unë do ta ndëshkoj paudhësinë e saj. Ajo i volli banorët e vet!

26 Kurse ju, ju mbani ligjet e mia e urdhëresat e mia dhe mos e bëni asnjë prej këtyre fëllqësive, as ju vendasit as i huaji që banon ndër ju! 27 Të gjitha këto mbrapshti i bëri gjindja e vendit që ishte para jush dhe e fëlliqi dheun. 28 Ruajuni, pra, që edhe ju të mos ju vjellë toka, nëse e fëlliqni atë, ashtu si i volli popujt që qenë këtu para jush! 29 Secili që do ta bëjë njërën ose tjetrën prej këtyre mbrapshtive, do të zhduket prej gjirit të popullit të vet!

30 Mbani urdhërimet e mia! Ruhuni se ndiqni ndonjë prej këtyre zakoneve mos, o Zot, më zi! që i ushtruan ata që qenë para jush, që të mos përdhoseni me to. Unë jam Zoti, Hyji juaj”!

Levitiku: 19. Urdhëresa morale e kultuale

19

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:

Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

3 Secili prej jush le ta druajë t’ëmën e të atin e vet! Mbani të shtunat e mia! Unë jam Zoti, Hyji juaj!

4 Mos u ktheni kah hyjnitë e rreme dhe mos bëni për vete trupore idhujsh! Unë jam Zoti, Hyji juaj!

5 Kur t’i kushtoni Zotit fli pajtimi, bëni ashtu që t’i jeni të pëlqyeshëm. 6 Le të hahen atë ditë që të jenë kushtuar e të nesërmen; kurse, çkado që të teprojë për të pasnesërmen, le të digjet në zjarr. 7 Nëse do të hahet gjë prej saj të tretën ditë, do të ishte çnderim i gjësë së shenjtë dhe flia nuk do të pranohej. 8 Kush do ta hante, do ta mbarte mbi vete peshën e fajit që e përdhosi gjënë e shenjtë të Zotit: dhe i tilli do të zhduket prej popullit të vet.

9 Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë. 10 Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t’i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

11 Mos vidhni! Mos rreni! Askush mos ta gënjejë të afërmin e vet!

12 Mos u përbe rrejshëm me emrin tim e kështu ta përdhosësh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti.

13 Mos iu shpif të afërmit tënd dhe mos e rrëmbe.

Fitimin e mëditësit mos e mbaj ti deri në mëngjes.

14 Mos e shaj të shurdhin e mos i qit para pengesës të verbërit, por druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.

15 Mos bëni padrejtësi në gjyqe. Mos i mbaj krahun të varfërit as mos e përkrah të fortin: gjykoje me drejtësi të afërmin tënd. 16 Mos shpërpall shpifje në popullin tënd dhe mos bashkëpuno në gjakderdhjen e të afërmit tënd. Unë jam Zoti.

17 Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. 18 Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.

19 Ruani ligjet e mia!

Mos lejo të mbarësohen kafshët e tua me kafshë të llojit tjetër. Arën tënde mos e mbill me farëra të ndryshme. Mos e vesh petkun që është i përbërë prej dy lloj pëlhurash.

20 Kush të bjerë me gruan që është skllave, por e fejuar për tjetërkë, porse ajo nuk është e shpërblyer me çmim dhe nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen të dy, por të mos vriten, sepse ajo nuk ka qenë e lirë. 21 Por, ai le ta sjellë në hyrje të Tendës së takimit një dash për fli shpërblimi në nder të Zotit: 22 kur prifti ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes me anë të dashit të shpërblimit në praninë e Zotit për mëkatin e bërë, atëherë asaj do t’i falet mëkati.

23 Kur të hyni në Tokën e premtuar e të mbillni pemë frutore të ndryshme, mbani frutat e tyre si të parrethprera: për tri vjet le të jenë për ju të parrethprera e të papastra: mos i hani! 24 Të katërtin vit të gjitha frutat e tyre le t’i kushtohen Zotit në një festë në lavdi të tij. 25 Vetëm të pestin vit filloni t’i hani frutat e tyre dhe vilni për vete prodhimet e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

26 Mos hani asgjë me gjak.

Mos ushtroni as shorti as magji.

27 Mos i qethni rrumbullak anët e flokëve tuaj e mos e shkurtoni mjekrrën. 28 Mos bëni prerje në trup për shkak të ndonjë të vdekuri dhe mos shkruani asfarë figurash në lëkurën tuaj. Unë jam Zoti.

29 Mos e çndero e mos e jep në lavirësi vajzën tënde që të mos fëlliqet toka e të mos mbushet me kobësi.

30 Mbani të shtunat e mia e kini nderim për Shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

31 Mos u ktheni kah shortarët e dijetarët që të mos bëheni të papastër me anën e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

32 Ngrehu në këmbë para flokthinjurit e nderoje njeriun e vjetër, druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.

33 Nëse jeton me ty i huaji në tokën tuaj, mos e shtypni; 34 por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

35 Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masa të gjatësisë, në peshore e në vëllim. 36 Masat kini të sakta: peshore të sigurta, efin e drejtë dhe hin-in. Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit.

37 Mbani të gjitha urdhërimet e mia e të gjitha vendimet e mia dhe kryeni ato. Unë jam Zoti”.

Levitiku: 20. Ndëshkimet

20

1 Zoti foli me Moisiun e tha: 

2 “Thuaju kështu bijve të Izraelit: Ai njeri, prej bijve të Izraelit ose prej të ardhurve, që jeton në Izrael, i cili t’ia flijojë idhullit Molok ndonjë fëmijë të vet, le të vritet: populli i vendit le ta vrasë me gurë. 3 Edhe vetë do të sillem kundër këtij njeriu e do ta shfarosë prej popullit të vet pse ia dhuroi fëmijën e vetë Molokut, e fëlliqi Shenjtëroren time dhe e përdhosi emrin tim të shenjtë. 4 E nëse populli i atij vendi do t’i mbyllë sytë e vet për të mos e parë atë njeri që ia dhuron fëmijën e vet Molokut, e nuk e mbyt, 5 unë vetë do ta sjell fytyrën time kundër tij dhe kundër farefisit të tij, do ta mbys atë dhe të gjithë ata prej popullit të tij që ia miratuan të lavirësohet me Molokun.

6 Ai njeri që t’u sillet shortarëve dhe magjistarëve e të lavirësojë me ta, unë do të jem kundër tij dhe do ta zhduk nga gjiri i popullit të vet.

7 Shenjtërohuni dhe jini të shenjtë! Unë jam Zoti, Hyji juaj”!

B. Mëkatet kundër familjes

8 “Mbani ligjet e mia dhe zbatoni ato: Unë jam Zoti që dua t’ju shenjtëroj”.

9 Njeriu që e përbuz të atin dhe t’ëmën, le të vritet: ai e përbuz të atin e vet ose t’ëmën e vet: gjaku i tij u derdhtë mbi të.

10 Kush bën kurorëthyerje me gruan e një tjetri:

njeriu që bën kurorëthyerje me gruan e të afërmit të vet: le të vritet kurorëthyesi dhe kurorëthyesja.

11 Kush të flejë me njerkën e vet dhe kështu e zbulon lakuriqësinë e t’et, le të vriten të dy: gjaku i tyre rëntë mbi ta.

12 Nëse ndokush fle me renë e vet, të dy le të ndëshkohen me vdekje: ata bëjnë gjaktrazim: gjaku i tyre rëntë mbi ta.

13 Nëse mashkulli bie me mashkull si bihet me femër, të dy bëjnë vepër të urryer: le të ndëshkohen me vdekje: gjaku i tyre rëntë mbi ta.

14 Ai që martohet me bijën dhe me nënën e saj, bën poshtërsi: le të digjet gjallë me to në zjarr: që ndër ju të mos ketë shëmti kaq të madhe.

15 Ai që mban marrëdhënie seksuale me kafshë, le të dënohet me vdekje! Vriteni edhe kafshën. 16 Gruaja që i afrohet cilësdo kafshë për t’u fëlliqur me të: vritie atë dhe atë: gjaku i tyre u derdhtë mbi to!

17 Kush të ketë marrë motrën e vet: bijën e t’et ose të s’ëmës e t’ia ketë parë lakuriqësinë e saj dhe ajo të atij: është vepër e turpshme: le të vriten në sytë e popullit të vet. Pasi e zbulon lakuriqësinë e motrës së vet: le t’i mbartë edhe rrjedhimet e fajësisë së vet.

18 Kush bie me grua, ndërsa ka rrjedhjen mujore dhe ia zbulon lakuriqësinë e saj ‑ zbulon burimin e saj, po edhe ajo ia zbulon burimin e gjakut te vet ‑ le të zhduket prej gjirit të popullit të vet.

19 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate as të motrës së babait tënd: kush bën gjë të tillë zbulon turpësinë e mishit të vet, le t’i mbartin edhe rrjedhimet e fajësisë së vet.

20 Kush bie me gruan e vëllait të t’et ose me gruan e vëllait të s’ëmës zbulon turpësinë e gjinisë së vet: të dy le t’i mbartin edhe rrjedhimet e mëkatit të vet: le t’u shuhet fara.

21 Kush merr gruan e vëllait të vet, është fëlliqësi, zbulon lakuriqësinë e vëllait të vet: le t’u humbasë fara”.

Porositë përfundimtare

22 Mbani të gjitha ligjet e mia e zbatoni urdhërimet e mia, që edhe ju të mos ju vjellë toka në të cilën do të hyni e do të banoni. 23 Mos jetoni sipas ligjeve të popujve që unë do t’i dëboj para jush. Ata i bënë të gjitha këto, e prandaj edhe më janë neveritur. 24 Kurse juve unë ju kam thënë: Ju do ta merrni pronë tokën e tyre e unë do t’jua jap në trashëgim një tokë në të cilën rrjedh qumësht e mjaltë. Unë Zoti, Hyji juaj, që ju kam ndarë veçmas nga popujt e tjerë.

25 Dallojeni, pra, edhe ju kafshën e pastër prej të papastrës, shpendin e pastër prej shpendit të papastër, që të mos i fëlliqni shpirtrat tuaj me kafshë, me shpend e me çdo gjë që zvarrit përmbi tokë dhe që për ju i ndava veçmas si të papastra.

26 T’ju kem, pra, shenjtër, sepse i shenjtë jam unë Zoti dhe ju ndava veçmas prej popujve të tjerë që të jeni të mitë.

27 Njeriu ose gruaja që ka në vete shpirtin e shortisë ose të magjisë, le të ndëshkohet me vdekje: le të vriten me gurë: gjaku i tyre rëntë mbi ta”!

Shenjtëria e Priftërisë

A. Priftërinjtë

Levitiku: 21. Shenjtëria e Priftërisë

21

1 Zoti i tha Moisiut:

“Fol me priftërinj, bijtë e Aronit dhe thuaju:

Prifti të mos bëhet i papastër duke prekur kufomën e bashkëvendasve; 2 përveç të farefisnisë (afërisë) së vet më të ngushtë: d. m. th. t’ëmës së vet, t’et, djalit të vet, vajzës së vet, të vëllait të vet 3 edhe të motrës së vet, virgjër, që është edhe ajo e afërme, sepse nuk është e martuar, mund të bëhet i papastër. 4 Por le të mos bëhet i papastër si i martuar, duke prekur kufomën e afërisë së vet, që të mos e përdhosë shugurimin.

5 Mos ta rruajnë kokën as mjekrrën dhe të mos bëjnë prerje në trup të vet me shkrime. 6 Le të jenë të shuguruarit e Hyjit të vet dhe të mos e çnderojnë emrin e tij: ata kushtojnë fli që digjen në nder të Zotit dhe shujtën e Hyjit: prandaj le të jenë të shenjtë.

7 Të mos marrin për grua: lavirën, të dhunuarën dhe gruan që e lëshon burri: sepse prifti është i shuguruari i Hyjit të vet.

8 Mbaje për të shenjtë, sepse prifti ia kushton Hyjit tënd bukën. Pra, le të jetë për ty shenjt, sepse unë jam shenjt, Zoti, që ju shenjtëroj.

9 Bija e priftit, nëse e çnderon veten me lavirësi, çnderon të atin: le të digjet në flakë”!

B. Kryeprifti

10 “Prifti, ai më i madhi ndër vëllezërit e vet, mbi kokë të të cilit qe derdhur vaji i shugurimit, duart e të cilit qenë shuguruar, që është veshur me petkat e shenjta, të mos i shprishë flokët e vet as të mos i shqyejë petkat e veta; 11 dhe të mos hyjë assesi te kurrnjë i vdekur e të mos bëhet i papastër as për të atin as për t’ëmën e vet; 12 as të mos dalë nga Shenjtërorja që të mos e përdhosë Shenjtëroren e Zotit: është i shuguruar me vajin e lyerjes së Hyjit të vet. Unë jam Zoti.

13 Për grua le të marrë vajzë që është ende virgjër. 14 Të mos marrë, pra, për grua: as vejushën, as të lëshuarën, as të dhunuarën, as lavirën, por për grua të marrë një vajzë ende virgjër prej popullit të vet; 15 kështu nuk do ta çorodisë trashëgiminë e vet në popullin e vet. Unë jam Zoti që e shenjtëroj atë”.

C. Pengesat që ndalojnë priftërinë

16 Zoti foli me Moisiun e tha:

17 “Fol me Aronin: asnjë prej pasardhësve të tu, brez pas brezi, nëse ka ndonjë të metë në trupin e vet, të mos afrohet për t’ia kushtuar bukën Hyjit të vet. 18 Askush që ka ndonjë të metë, të mos afrohet: i verbëti, i shqepti, hundëshëmtuari ose gjymtyrëshëmtuari, 19 duarthyeri ose këmbëthyeri, 20 i kërrusuri, shkurtabiqi, sysëmuri, i lijosuri, truppuçërrosuri ose i tredhuri. 21 Kështu, pra, askush prej pasardhësve të Aronit prift që ka ndonjë të metë trupore të mos afrohet t’i kushtojë flitë e shkrumbimit Zotit as bukën Hyjit të vet.

22 Mund të hajë veç prej flive më të shenjta e të shenjta të Hyjit të vet; 23 por të mos hyjë te koltrina, as të mos i afrohet lterit, sepse ka të metë, e nuk guxon t’i përdhosë gjërat e shenjtëruara të miat, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj ato”.

24 Moisiu ia tregoi këto Aronit, bijve të tij dhe mbarë izraelitëve.

Levitiku: 22. Shenjtëria në pjesëmarrje të ushqimeve të shenjtëruara

22

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me Aronin e me bijtë e tij për raste ku, për të mos e përdhosur emrin tim, u duhet të mos marrin pjesë në disa kushte të shenjta që m’i paraqesin bijtë e Izraelit. Unë jam Zoti.

3 E thuaju:

Çdo njeri prej pasardhësve tuaj, brez pas brezi, që do të guxojë t’u afrohet në gjendje të papastër kushteve të shenjta që ia kushtojnë bijtë e Izraelit Zotit, do të dëbohet prej pranisë simë. Unë jam Zoti.

4 Asnjë pasardhës i Aronit që të jetë i gërbulur ose pëson derdhjen, të mos hajë prej dhuratave të shenjta, derisa të shërohet. Ai që prek çdo gjë që është e papastër për shkak se preket me kufomën, ose ai njeri që pëson derdhjen e farës, 5 ose ai që prek zvarranik prej të cilit bëhet i papastër, ose njeriun prej të cilit bëhet i papastër prej çfarëdo papastrie të tij, 6 le të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe të mos hajë prej dhuratave të shenjta; por vetëm pasi të jetë larë me ujë 7 e pasi të ketë perënduar dielli; vetëm atëherë i pastruar le të hajë prej të shenjtëruarave: sepse janë ushqimi i tij. 8 Mishin e bagëtisë së ngordhur ose të shqyer prej egërsirës të mos e hanë që të mos bëhen të papastër.

9 Le ta mbajnë urdhërin tim që të mos ngarkohen me mëkat lidhur me ushqim e kështu të sharrojnë pse e përdhosin gjënë e shenjtëruar. Unë jam Zoti që i shenjtëroj ata”.

B. Laikët

10 “Asnjë laik nuk guxon të hajë prej gjërave të shenjtëruara. As miku i priftit as mëditësi i tij të mos hajë asgjë prej tyre. 11 Prej tyre mund të hajë ai që prifti e ka blerë me para si edhe shërbëtori që i lind në shtëpi. 12 Bija e priftit, që është martuar me laik, të mos hajë prej dhuratave që janë kushtuar; 13 por në qoftë se është e vejë ose e lëshuar e pa fëmijë e kthyer në shtëpinë e t’et, ashtu siç hante kur ishte vajzë, le të ushqehet me shujtën e t’et. Porse asnjë laik nuk guxon të hajë prej këtyre ushqimeve.

14 Nëse ndokush ha gjë, prej padijes, prej kushteve të shenjta, le t’ia kthejë priftit aq sa hëngri dhe le t’ia shtojë të pestën.

15 Të mos përdhosën kushtet e shenjta që izraelitët ia paraqesin Zotit; 16 duke i ngrënë do të merrnin mbi vete peshën e një gabimi që kërkon shpagim. Unë jam Zoti që shenjtëroj”.

C. Kafshët e flijimit

17 Zoti foli me Moisiun e tha:

18 “Fol me Aronin e me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët dhe thuaju: Çdo njeri prej shtëpisë së Izraelit, ose i huaj që banon ndër ju, që sjell dhuratën e vet apo për të çuar në vend një kusht ose si dhunti vullnetare që t’i paraqitet Zotit si fli shkrumbimi, 19 ‑ që të jetë i pëlqyer ‑i duhet të kushtojë mashkull, të pa të metë qoftë prej lopëve, prej deleve e prej dhive; 20 mos paraqitni asgjë me të metë, sepse nuk do t’ju pranohet.

21 Ai që do të kushtojë, flinë e pajtimit në nder të Zotit apo për të kryer një kusht ose vullnetarisht e paraqet qoftë prej gjedhit qoftë prej bagëtive të imëta, le të kushtojë bagëti të patëmetë, që t’i pranohet: të mos ketë asnjë të metë. 22 Mos prano asnjë bagëti të verbët, të çalë, të gjymtuar, të lythët, të shogët, ose me dregëza t’ia paraqesësh Zotit si dhuratë dhe mos vër asgjë prej tyre mbi lter si fli të erëndshme në nder të Zotit. 23 Si fli vullnetare mund të paraqesësh bagëti të trashë ose të imët që ka ndonjë gjymtyrë të deformuar ose është e ligshtë; porse me të tillë, për të kryer flinë e kushtimit, nuk është e mundur. 24 Mos i kushtoni Zotit asnjë kafshë me kokrra të shtypura, të ndrydhura, të prera ose të hequra, dhe në vendin tuaj këtë punë mos e bëni assesi, 25 as mos pranoni prej të huajve ndonjë kafshë të tillë për të kushtuar si ushqim Hyjit tuaj prej të huajve, sepse të gjitha janë të prishura dhe të gjitha me të metë. Prandaj, as nuk do t’ju pranohen”.

26 Zoti foli me Moisiun dhe shtoi:

27 “Kur lopa, delja dhe dhia të pjellë, viçi, qengji dhe edhi, le të rrinë me t’ëmën për shtatë ditë; të tetën ditë e më tutje do të jenë të pëlqyeshëm si dhuratë e djegur në nder të Zotit. 28 As lopa as delja të mos priten për një ditë me pjellën e vet.

29 Kur t’i kushtoni Zotit flinë e lavdit, kushtojeni ashtu që të jetë e pëlqyeshme: 30 hajeni po atë ditë: mos lini asgjë prej saj për të nesërmen në mëngjes! Unë jam Zoti”!

Ç. Porosia përfundimtare

31 “Mbani ligjet e mia dhe zbatoni! Unë jam Zoti! 32 Mos e përdhosni emrin tim të shenjtë me qëllim që unë të jem i shpallur shenjt ndër bijtë e Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëroj 33 dhe ju nxora nga dheu i Egjiptit që të jem Hyji juaj. Unë jam Zoti”.

Levitiku: 23. Rituali i të kremteve të vitit

23

1 Zoti foli me Moisiun e tha: 

2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Këto janë të kremtet e Zotit, të cilat quani takime të shenjta.

Ja të kremtet e mia”:

A. E shtuna

3 “Gjashtë ditë punoni; e shtata ditë është e shtuna e pushimit të plotë: takimi i shenjtë. Mos bëni kurrfarë pune.

Është ditë pushimi në nder të Zotit kudo që të banoni.

4 Dhe, ja, të kremtet e Zotit, takimet e shenjta që ju do t’i kremtoni në ditët e caktuara”:

B. Pashkët e Tëpabrumet

5 “Të parin muaj, të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji në mbrëmje, janë Pashkët në nder të Zotit. 6 Të pesëmbëdhjetën ditë po të këtij muaji është e kremtja e Të pabrumeve në nder të Zotit. Për shtatë ditë hani bukë të pabrumë. 7 Ditën e parë le të jetë për ju takimi i shenjtë. Atë ditë mos punoni asnjë punë të rëndë; 8 për shtatë ditë çdo ditë kushtoni në nder të Zotit flinë e djegies. Po edhe e shtata ditë le të jetë për ju takimi i shenjtë. As atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë”.

C. Dorëza e parë

9 Zoti foli me Moisiun e tha:

10 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Kur të keni hyrë në tokën që unë do t’jua jap e t’i keni korrur të mbjellat, çojeni te prifti dorëzën e parë të korrjes tuaj. 11 Ai le ta lartësojë dorëzën para Zotit, që të jetë e pëlqyer për ju. Të nesërmen pas të shtunës prifti le ta kushtojë si fli paraqitjeje. 12 Po atë ditë kur ta kushtoni si fli paraqitjeje dorëzën, kushtojani Zotit një qengj vjetak, mashkull, të pa të metë fli shkrumbimi. 13 Përveç kësaj le të jetë edhe flia kushtimore bimore: dy të dhjetat e efit më të mirit miell të përzier me vaj si fli djegieje për erë të mirë në nder të Zotit dhe si njomje me verë: e katërta pjesë e hin-it. 14 Mos hani as bukë, as kokrra të fërguara, as kallinj të njomë prej të mbjellave para ditës në të cilën t’ia çoni këtë dhuratë Zotit. Është ligj i përhershëm ndër të gjitha breznitë tuaja kudo që të banoni”.

Ç. E kremtja e javëve

15 “Të nesërmen e të shtunës kur ta keni sjellë dorëzën e lartësimit, numëroni shtatë javë të plota, 16 deri të nesërmen e ditës së plotësimit të shtatës javë, d. m. th. pesëdhjetë ditë. Atëherë kushtoni Zotit një fli të re. 17 Sillni prej banesave tuaja nga dy bukë për ritin e lartësimit, të përgatitura nga dy të dhjetat e efit të më të mirit miell të mbrume të pjekura: janë fryti i parë në nder të Zotit. 18 Bashkë me bukët kushtoni edhe shtatë qengja të pa të metë, vjetakë e, prej bagëtive të trasha, një mëzat, edhe dy desh si fli shkrumbimi në nder të Zotit bashkë me flinë kushtimore bimore dhe me njomjet e tyre si erë të këndshme në nder të Zotit. 19 Kushtoni edhe cjapin fli mëkatimi si edhe dy qengja vjetakë si fli pajtimi. 20 Prifti pasi t’i ketë kushtuar me ritin e lartësimit bashkë me bukët, frytet e para në nder të Zotit, bashkë me të dy qengjat: edhe kjo është gjë e shenjtë dhe le t’i përkasin priftit. 21 Po në këtë ditë thirreni takimin: le të jetë për ju takimi i shenjtë: këtë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë. Është ligj i përhershëm për ju brez pas brezi kudo që të banoni.

22 Kur të korrni të mbjellat e tokës tuaj, mos e korrni deri në anë të arës dhe mos i mblidhni kallinjtë që mbesin, por lëreni për skamnorë e për shtegtarë. Unë jam Zoti, Hyji juaj”.

D. Dita e parë e të shtatit muaj

23 Zoti foli me Moisiun e tha:

24 “Thuaju bijve të Izraelit:

I shtati muaj, dita e parë e muajit, le të jetë ditë pushimi; ditë përkujtimore e shpallur me trumbetë, ditë takimi e shenjtë. 25 Atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë; kushtoni në nder të Zotit një fli të djegur në zjarr”.

DH. Dita e Shpërblimit

26 Zoti foli me Moisiun e tha:

27 “Kurse të dhjetën ditë të këtij muaji të shtatë është dita e Shpërblimit dhe për ju të jetë ditë takimi të shenjtë: atë ditë agjëroni dhe kushtoni në nder të Zotit një fli të djegur në zjarr. 28 Shih këtë ditë mos bëni asfarë pune: është dita e Shpërblimit kur mbi ju do të kryhet riti i zgjidhjes para Zotit, Hyjit tuaj. 29 Çdo njeri që nuk do të agjërojë atë ditë, do ta zhduk prej popullit të tij; 30 dhe atë që të bëjë ndonjë punë atë ditë, do ta zhduk prej popullit të tij. 31 Pra, mos bëni asnjë punë atë ditë: është ligj i përhershëm për të gjitha breznitë tuaja kudo që të banoni. 32 Le të jetë për ju pushim shtunor. Agjëroni! Të nëntën ditë mbajeni këtë pushim shtunor prej mbrëmjes e deri në mbrëmje të së nesërmës”.

E. E kremtja e Tendave

33 Zoti foli me Moisiun e tha:

34 “Thuaju bijve të Izraelit:

Të pesëmbëdhjetën ditë të këtij muaji të shtatë do të jetë festa e Tendave që zgjat shtatë ditë në nder të Zotit. 35 Të parën ditë kini takimin e shenjtë dhe atë ditë mos bëni asnjë punë të rëndë. 36 Shtatë ditë kushtoni flinë e djegies në nder të Zotit. Të tetën ditë kini takimin e shenjtë dhe kushtoni në nder të Zotit flinë e djegies. Është ditë bashkimi: mos bëni asnjë punë të rëndë”.

Përfundimi

37 “Këto janë të kremtet e Zotit që do t’i quani: takime të shenjta dhe kushtoni në to flinë e djegies në nder të Zotit, flitë e shkrumbimit dhe flinë kushtimore bimore, flinë e pajtimit dhe flinë e njomjes sipas ritualit të veçantë të secilës ditë, 38 përveç të shtunave të Zotit dhe përveç dhuratave të veçanta, përveç dhuratave kushtimore e vullnetare që i kushtoni Zotit”.

Përsëri për festën e Tendave

39 “Porse, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit të shtatë, kur t’i keni mbledhur frytet e tokës, kremtoni festën e Zotit për shtatë ditë: dita e parë e dita e tetë le të jenë pushim. 40 Të parën ditë merrni fruta më të mira pemësh, gema palmash, rremba lëndësh plot gjethe të gjelbëra dhe gema shelqesh dhe gëzohuni në praninë e Zotit, Hyjit tuaj. 41 Kremtojeni këtë festë shtatë ditë për çdo vit: Ligj i përhershëm për breznitë tuaja. Kremtojeni festën në muajin e shtatë 42 dhe jetoni në tana për shtatë ditë; të gjithë që janë të gjakut të Izraelit, le të jetojnë nën tana, 43 që ta dinë pasardhësit tuaj se si kam bërë që izraelitët të jetojnë në tenda, kur i nxora nga dheu i Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj”.

44 E kështu Moisiu ua tregoi bijve të Izraelit të kremtet e Zotit.

Levitiku: 24. Rregullore plotësuese rituale

24

1 Zoti foli me Moisiun e tha: 

2 “Urdhëroju bijve të Izraelit që të sjellin vaj ulliri të pastër e të ndritshëm për t’i mbajtur ndezur vazhdimisht dritëzat e shandanit. 3 Jashtë koltrinës së Dëshmisë, në Tendën e takimit, le ta bëjë gati Aroni vazhdimisht para Zotit prej mbrëmjes e deri në mëngjes. Është ligj i përhershëm brez pas brezi. 4 Përmbi shandan të pastër Aroni le t’i rregullojë në mënyrë që ato të ndriçojnë vazhdimisht para Zotit”.

B. Bukët mbi lterin e artë

5 “Merr pastaj edhe prej më të mirit miell e piqi dymbëdhjetë bukë, kështu që secila të ketë dy të dhjetat e efit, 6 të cilat vëri nga gjashtë në dy radhë mbi tryezën e pastër në praninë e Zotit. 7 Dhe vër përmbi të dy turrat kem të pastër. Ky do të jetë në vend të bukës përkujtim ‑ shujtë e djegur në nder të Zotit. 8 Çdo të shtunë le të ndërrohen para Zotit. Le t’i sjellin bijtë e Izraelit në emër të besëlidhjes së përhershme. 9 I takojnë Aronit dhe bijve të tij që t’i hanë në vendin e shuguruar. Janë pjesë e tij shumë e shenjtë prej flive të kushtuara në nder të Zotit. Është ligj i përhershëm”.

Blasfemuesi dhe ligji i hakmarrjes

10 Dhe, ja, i biri i një izraeliteje, i ati i të cilit ishte egjiptian, doli ndër izraelitë dhe zuri të grindet me një izraelit. 11 I biri i izraelites e shau Emrin dhe e nëmi. E çuan te Moisiu. Nëna e tij quhej Salomitë dhe ishte e bija e Dabriut, e fisit Dan. 12 E mbyllën në burg derisa t’i dëftohet vullneti i Zotit.

13 Zoti foli me Moisiun e tha:

14 “Nxirre blasfemuesin jashtë zemërimiës dhe të gjithë ata që e dëgjuan le t’i vënë duart mbi kokën e tij dhe mbarë bashkësia le ta vrasë me gurë.

15 E bijve të Izraelit thuaju:

Ai njeri që do ta shajë Hyjin e vet, le ta mbartë peshën e mëkatit të vet; 16 kush ta blasfemojë Emrin e Zotit, le të ndëshkohet me vdekje: le ta mbysë me gurë mbarë bashkësia, si në qoftë i huaj si në qoftë izraelit, le të mbytet me gurë ai që ta ketë sharë Emrin.

17 Kush t’i bjerë njeriut e ta vrasë, le të ndëshkohet me vdekje.

18 Kush vret kafshën, le ta zëvendësojë me një si ajo: jetë për jetë.

19 Kush t’i shkaktojë varrë ndokujt prej bashkatdhetarëve të vet, le t’i bëhet edhe atij siç bëri ai: 20 të thyerit për të thyera, syri për sy, dhëmbi për dhëmb ‑ çfarë varre i shkaktoi tjetrit, varrë të njejtë le të durojë edhe ai vetë.

21 Kush vret bagëtinë, le ta paguajë; por ai që vret njeriun, le të vritet. 22 Do të kini të njëjtin ligj: si nëse gaboi vendasi si në gaboi ardhacaku. Sepse unë jam Zoti, Hyji juaj”.

23 Pasi Moisiu u tha kështu bijve të Izraelit, ata e nxorën jashtë zemërimiës blasfemuesin dhe e mbytën me gurë. Izraelitët bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

Levitiku: 25. Vitet e shenjta

25

1 Në malin e Sinait Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Kur të hyni në tokën që do t’jua jap unë, toka le ta shenjtërojë të shtunën në nder të Zotit. 3 Gjashtë vjet mbille arën tënde dhe gjashtë vjet kije vreshtin tënd dhe mblidhi frytet e saja; 4 porse të shtatin vit, edhe toka le ta ketë pushimin shtunor ‑ krejt viti e shtunë në nder të Zotit: mos e mbill arën tënde as mos e kij vreshtin tënd! 5 Çfarë toka të prodhojë vetvetiu, mos e korr as mos e vil rrushin e vreshtit tënd të pakirë. 6 Ushqehuni me çka të japë vetvetiu toka gjatë vitit shtunor: ti, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, mëditësi yt dhe shtegtari që banon ndër ju, 7 bagëtitë e tua dhe egërsirat që jetojnë në tokën tënde: le të ushqehen prej sa toka të prodhojë vetvetiu”.

Viti jubilar

8 “Numërojini shtatë javë vitesh, d. m. th. shtatë herë shtatë, që të gjitha së bashku bëjnë dyzetë e nëntë vjet. 9 Atëherë bjerini trumbetës në muajin e shtatë, të dhjetën ditë të muajit, Ditën e shpërblimit, bini trumbetës anekënd vendit tuaj. 10 Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve. Ky le të jetë për ju jubile: le të kthehet secili në pronën e vet, le të kthehet secili në fisin e vet të mëparshëm. 11 I pesëdhjeti vit le të jetë për ju jubile: mos mbillni, mos korrni çka të lind vetvetiu në arat dhe mos i vilni vreshtat e pakira, 12 sepse është jubileu, një gjë e shenjtë për ju. Hani çka të mbijë vetvetiu në ara.

13 Në këtë vit jubilar secili prej jush le të kthehet në pronën e vet.

14 Kur t’i shitësh ndonjë gjë të afërmit tënd ose të blesh ndonjë gjë prej tij, askush të mos e shfrytëzojë vëllanë e vet, por të blejë prej tij sipas numrit të vjetëve pas jubileut 15 dhe ai le të shesë sipas numrit të viteve të fryteve. 16 Sa më shumë vite të mbesin pas jubileut, ashtu të rritet edhe çmimi dhe sa më pak kohë të numërosh, aq më pak të kushtojë shitja: sepse i duhet të shesë kohën e fryteve. 17 Mos i shrytëzoni bashkatdhetarët tuaj, por druaje Hyjin tënd, sepse unë jam Zoti, Hyji juaj”.

Dorëzania hyjnore për vitin shtunor

18 “Mbani urdhërimet e mia dhe urdhëresat, ruani dhe zbatoni që të mund të jetoni mbi tokë pa farë frike 19 e që toka t’ju prodhojë frytet e veta me të cilat të mund të ushqeheni e të ngiheni e që të mund të jetoni përmbi tokë pa frikën nga sulmi i askujt.

20 Por nëse do të thoni: ‘Çka do të hamë të shtatin vit, nëse nuk do të mbjellim e nuk do t’i mbledhim frytet tona’? 21 Unë do ta bekoj vitin e gjashtë dhe do të prodhojë frytet e tri vjetëve: 22 do të mbillni të tetin vjet e do të ushqeheni me frytet e vjetra deri të nëntin vit: derisa të mbërrijnë prodhimet e reja, do të ushqeheni me të vjetrat”.

Kthimi i pronësisë

23 “Toka nuk mund të shitet për përgjithmonë, sepse është imja, kurse ju jeni tek unë vetëm të ardhur e pendarë. 24 Këndej, në mbarë vendin, ku do të keni pronë, do ta shisni me qyshke që toka të shpërblehet.

25 Nëse vëllai yt bie ngushtë e i duhet të shesë ndonjë pjesë të pronës së vet, le të vijë si shpërblyes i afërmi i tij dhe le ta shpërblejë atë që ka shitur ai. 26 Nëse nuk ka atë që mund ta shpëblejë dhe ai ia del ta fitojë çmimin për ta shpërblyer, 27 le t’i numërojë vitet prej kohës që e ka shitur dhe t’ia kthejë tepricën blerësit e kështu ta kthejë pronën e vet. 28 Nëse nuk i gjen mjetet për ta kthyer, toka le t’i mbesë blerësit deri në vitin e jubileut. Në vitin e jubileut çdo shitje le të kthehet tek i zoti, t’i kthehet atij që e ka pasur më parë.

29 Kush e shet shtëpinë brenda mureve të qytetit, mund ta shpërblejë derisa të mos mbushet viti i shitjes. 30 Nëse nuk e shpërblen e viti kalon, blerësi do ta ketë në posedim ai dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi, dhe nuk do të mund të shpërblehet as në jubile. 31 Por, nëse shtëpia ndodhet në fshat, që nuk është i rrethuar me mure, le të shitet me të drejtat e arave: mund të shpërblehet dhe në jubile le t’i kthehet të zotit.

32 Shtëpitë e levitëve që gjenden në qytetet e pronës së tyre, mund të shpërblehen prej tyre në çdo kohë. 33 Nëse e shpërblen ndokush prej levitëve, shtëpitë dhe qyteti në jubile le të t’i kthehen pronarit, sepse shtëpitë e qytetit të levitëve mbahen ndër izraelitë për pronë të tyre. 34 Kurse kullotat rreth qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë prona e tyre e përhershme.

B. Lidhur me popullin: huazim dhe shpërblim

35 “Nëse vëllai yt bie në skamje e nuk ka me se të shpaguhet me ty, pranoje si të huajin e shtegtarin e le të jetojë me ty. 36 Mos merr kamatë prej tij dhe as më shumë se i ke dhënë: druaje Hyjin tënd që të mund të jetojë vëllai yt te ti. 37 Paratë e tua mos ia jep me kamatë, dhe mos kërko më shumë se është e drejtë për ushqim që i jep. 38 Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju nxora nga dheu i Egjiptit për t’jua dhënë tokën e Kanaanit e për të qenë Hyji juaj.

39 Nëse vëllai yt i shtyrë prej skamjes të shitet ty, mos e detyro të të shërbejë si skllav, 40 por mbaje si rrogëtar e mëditës. Le të punojë te ti deri në vitin e jubileut 41 e atëherë le të dalë bashkë me fëmijët e tij e të kthehet në fisin e vet e në pronën e t’et. 42 Janë shërbëtorët e mi dhe unë i nxora nga dheu i Egjiptit: nuk bën të shiten si skllevër. 43 Mos u sill me të ashpër pse je më i zoti, por druaje Hyjin tënd.

44 Skllav e skllave mund të kesh prej popujve që janë përreth; prej popujve përreth bleni skllav e skllave. 45 Mund të bleni edhe prej të huajve që banojnë ndër ju e prej familjeve të tyre që janë ndër ju dhe që u lindën në vendin tuaj. Të tillët mund të bëhen prona juaj 46 dhe me të drejtën trashëgimore mund t’i kaloni në pasardhësit tuaj dhe mund t’i keni në pronë si skllevër përgjithmonë. Kurse kundrejt vëllezërve, izraelitëve, askush s’guxon të sillet keq.

47 Nëse u pasurua i huaji ose shtegtari ndër ju dhe vëllai juaj si i varfër iu shit atij ose kujtdo prej farës së tij, 48 mund të shpërblehet pasi të jetë shitur. Dikush prej vëllezërve të tij le ta shpërblejë 49 ja ungji, ja djali i ungjit ose kushdo prej farefisit. Po qe se edhe ai vetë mundet, le ta shpëblejë vetveten, 50 duke llogaritur me blerësin kohën që kur i është shitur deri në vitin e jubileut. Çmimi i shpërblimit të tij të jetë sipas vjetëve. Koha që e ka kaluar te pronari i tij le të vlerësohet si kohë e rrogëtarit. 51 Nëse janë shumë vjet që mbeten deri te jubileu, sipas këtyre vjetëve le t’i kthejë blerësit sipas çmimit të blerjes; 52 nëse janë pak, le t’i llogaritë me blerësin e le t’i kthejë për shpërblimin e vet sipas viteve të shpërblimit. 53 Kundrejt tij le të sillet sipas rregullave që vlejnë për rrogëtar që merret prej vitit në vit. Ndër sy të tu të mos sillet ashpër me të.

54 Nëse nuk mund të shpërblehet në këtë mënyrë, në vitin jubilar le të dalë ai e fëmijët e tij: 55 sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi. Unë i nxora nga dheu i Egjiptit. Unë Zoti, Hyji juaj”.

Levitiku: 26. Përmbledhje. Përfundim

26

1 “Mos bëni idhuj e trupore as mos ngulni gur as mos vendosni në gurë fytyra të gdhendura për t’i adhuruar në vendin tuaj. Sepse unë jam Zoti, Hyji juaj.

2 Ruani të shtunat e mia e nderojeni Shenjtëroren time. Unë jam Zoti”.

Bekimet

3 “Nëse do të jetoni sipas ligjeve të mia dhe nëse do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i shtini në veprim ato, 4 do t’ju jap shira në stinën e tyre dhe toka do të japë prodhimet e veta dhe pemët do të mbushen me fruta. 5 Shirja e të korrave do ta zërë vjeljen e vjelja mbjelljen. Do të hani bukën tuaj e do të ngopeni. Do të jetoni në vendin tuaj pa farë frike.

6 Do ta vendos paqen brenda kufijve tuaj, do të flini e s’do të ketë kush t’ju trembë. Kafshët dëmtuese do t’i zhduk nga vendi juaj dhe shpata nuk do të përshkojë brenda kufijve tuaj. 7 Do t’i vini në ikje armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush nga shpata. 8 Pesë prej jush do t’i ndjekin njëqind prej tyre, ndërsa njëqind jush dhjetë mijë të tilla: armiqtë tuaj do të bien nga shpata para syve tuaj.

9 Unë do t’ju këqyr ju e do të bëj të shtoheni e ju do të shumoheni dhe do ta përforcoj besëlidhjen time me ju.

10 Do të hani prodhimet e vjetra të grumbulluara prej të korrave të mëparshme; e kur të vijnë të rejat, do t’i hidhni prodhimet e vjetra.

11 Ndër ju do ta ngul Banesën time dhe nuk do t’ju përbuz. 12 Do të jetoj ndër ju dhe do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. 13 Jam unë Zoti, Hyji juaj, që ju nxora prej dheut të Egjiptit që të mos jeni më skllevërit e tyre. Unë e theva zgjedhën tuaj që të ecni kryelartë”.

Mallkimet

14 “Por, nëse nuk do të më dëgjoni e nuk do t’i zbatoni të gjitha këto urdhërime, 15 nëse do t’i përbuzni ligjet e mia e do t’i vini nën këmbë vendimet e mia për të mos i vënë në veprim urdhërimet e mia e do ta zhbëni besëlidhjen time, 16 por, ja, edhe çka do t’ju bëj unë juve: do t’jua fus frikën në palcë, do t’ju çoj rraskapitje dhe ethe që t’jua shterin sytë e t’jua brejnë jetën. Kot do të mbillni farën tuaj, armiqtë do t’jua hanë! 17 Unë vetë do të jem kundër jush: do të bini para armiqëve tuaj, do t’ju nënshtroheni atyre që ju urrejnë e do të ikni pa ju pasë ndjekur kush.

18 E në qoftë se edhe kështu nuk do të më dëgjoni, do t’i shtoj shtatëfish ndëshkimet ndaj jush për shkak të mëkateve tuaja 19 e do ta përul madhështinë e kryeneçësisë tuaj. Hekur do ta bëj qiellin përmbi ju e tokën bronz. 20 Kot do të shkojë fuqia juaj: toka s’do të japë prodhime e pemët nuk do të japin fruta.

21 E nëse do të jetoni kundër meje e nuk do të doni të më dëgjoni, shtatëfish do t’jua shtoj varrët tuaja për shkak të mëkateve tuaja: 22 do t’i lëshoj mbi ju egërsirat e malit, të cilat do t’ju lënë pa fëmijë, do t’i shfarosin bagëtitë tuaja edhe ju do t’ju pakësojnë që udhët tuaja të mbeten shkretë.

23 Po në qoftë se as kështu nuk do t’ju bjerë në fije qortimi im, por përkundrazi do të jetoni në kundërshtim me mua, 24 edhe unë do të vihem kundër jush dhe do t’ju godas shtatë herë për shkak të mëkateve tuaja: 25 do të sjell mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime; kur të strehoheni në qytetet tuaja, unë do të çoj ndër ju murtajën e ju do t’u lëshoheni në duar armiqve. 26 E kur ta thyej për ju shkopin e bukës: dhjetë gra do ta pjekin bukën tuaj në një furrë të vetme, do t’jua japin me masë, do të hani, por nuk do të ngiheni.

27 Në qoftë se as kështu nuk do të më dëgjoni, por do të vazhdoni të jetoni kundër vullnetit tim, 28 edhe unë do t’ju kundërshtoj plot zemërim: unë do t’ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja: 29 kështu që do të hani mishin e bijve tuaj e mishin e bijave tuaja. 30 Unë do t’i rrafshoj kodrat e idhujve tuaj, do t’i rrënoj lterët e kemimit, meitet tuaj do t’i vë mbi meitet e idhujve tuaj, e do t’ju përbuzë shpirti im. 31 Ndërkaq, qytetet tuaja do t’i shndërrojë në gërmadha, shkretë do t’i bëjë shenjëroret tuaja, dhe nuk do ta marr më erën e këndshme të flive tuaja. 32 Do ta shkretoj vendin tuaj: mbi të do të mbesin shtang të habitur armiqtë tuaj kur të vijnë të banojnë në të. 33 Kurse ju do t’ju shpërndaj ndër paganë, e pas jush do ta nxjerr shpatën prej millit: toka juaj do të mbetë e shkretë e qytetet tuaja gërmadha.

34 Atëherë tokës do t’i pëlqejnë të shtunat e saja, gjatë krejt kohës së vetmimit të saj. Kur ju të gjendeni në dheun e armiqve, ajo do të shtunojë, do t’i çojë në vend të shtunat e veta.

35 Gjatë tërë kohës së shkretimit do të shtunojë, sepse nuk pati pushim në të shtunat tuaja, kur ju banonit në të.

36 E ndër ata prej jush që të mbesin gjallë, do t’u fus në zemrat e tyre tmerrin në vendet e armiqve: do t’i trembë edhe fërshellima e gjethit që bie, do të ikin si prej shpatës; do të bien pa i pasë ndjekur kush. 37 Do të bien njëri mbi tjetrin sikur të iknin prej luftës, pa i pasë ndjekur njeri. Asnjëri prej jush nuk do të ketë guxim t’i dalë përballë armikut. 38 Do të sharroni në mes të paganëve dhe do t’ju shkrijë toka e armikut. 39 Po edhe në qoftë se disa prej jush do të mbesin gjallë, do të kalben në paudhësitë e veta në dheun e armiqve tuaj edhe për shkak të mëkateve të etërve do të shkrihen bashkë me ta. 40 Atëherë do t’i pranojnë paudhësitë e veta e të të parëve të vet e do të thonë se bënë shenjtdhunim kundër meje e jetuan kundër vullnetit tim.

41 Edhe mua m’u desh të sillem kësodore kundër tyre e t’i tres në dheun e armiqve të tyre”.

Mundësia e kthimit

“Ndoshta atëherë zemra e tyre e parrethprerë do të përulet e do të bëjnë pendesë për paudhësitë e veta. 42 Atëherë edhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time që e lidha me Jakobin, Izakun e me Abrahamin. Do të më kujtohet gjithashtu edhe Vendi 43 që, pasi të ketë qenë lënë prej tyre, do të kënaqet në vetvete në të shtunat e veta kur të mbesë i shkretë për shkak të tyre. Kurse ata do të bëjnë pendesë për mëkatet e veta për shkak se i flakën urdhërimet e mia e i përbuzën ligjet e mia.

44 E, madje, edhe kur të jenë në dheun e armiqve të tyre, nuk do të heq krejtësisht dorë prej tyre as që do t’i përbuz deri në atë masë që t’u tresë fara e ta zhbëj besëlidhjen time me ta. Sepse unë jam Zoti, Hyji i tyre. 45 E do t’ua përkujtoj atyre besëlidhjen me të parët e tyre, të cilët i nxora nga dheu i Egjiptit në sy të paganëve që të jem Hyji i tyre. Unë, Zoti”.

46 Këto janë urdhëresat, urdhërimet dhe ligjet që i dha Zoti ndërmjet vetes e bijve të Izraelit në malin Sinai me anë të Moisiut.

Levitiku: 27. SHTOJCË: shpërblimi i personave e i gjërave

27

1 Zoti foli me Moisiun e tha:

2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

Njeriu që bëri kusht dhe i kushtoi Zotit një njeri, për ta shpërblyer, le ta japë çmimin sipas vlerësimit:

3 për mashkull, njëzet deri në gjashtëdhjetë vjeç, le të japë pesëdhjetë sikla argjendi ‑ sipas masës së shenjtërores; 4 për femër, tridhjetë;

5 për mashkull pesë deri në njëzet vjeç, le të japë njëzet sikla; për femër dhjetë;

6 për mashkull, një muajsh deri në pesë vjeç, le të jipen pesë sikla; për femër tre;

7 mashkulli gjashtëdhjetëvjeçar e përpjetë, le të japë pesëmbëdhjetë sikla, femra, dhjetë;

8 Në qoftë se është i varfër dhe nuk mund ta paguajë vlerën, le ta sjellë para priftit dhe sa të çmojë ai se është i zoti të japë, aq le të japë”.

B. Kafshët

9 “Nëse ndokush kushton një kafshë të pastër që mund t’i flijohet Zotit, do të jetë gjë e shuguruar 10 dhe nuk mund të ndërrohet, d. m. th. as e keqja me të mirën, as e mira me të keqen. Po qe se ndokush e ndërron, atëherë edhe ajo që u ndërrua dhe ajo me të cilën ndërrohet, do të jenë të dyja të shuguruara Zotit. 11 Nëse ndokush e bën kusht një kafshë të papastër që nuk mund t’i flijohet Zotit, le të sillet para priftit, 12 i cili le ta vlerësojë qoftë lirë qoftë shtrenjtë, le t’i rrijë çmimit që ai të caktojë. 13 E nëse, ai që e kushtoi, dëshiron ta shpërblejë, le t’i shtojë çmimit të pestën pjesë”.

C. Shtëpitë

14 “Nëse ndokush e bën kusht shtëpinë e vet si gjë të kushtuar Zotit, prifti le ta vlerësojë a është e mirë ose e keqe e le t’i rrihet vlerësimit që prifti t’i bëjë. 15 Por, nëse ai që e bëri kusht dëshiron ta shpërblejë, le të shtojë përmbi çmim të pestën pjesë e le t’i mbesë shtëpia”.

Ç. Arat

16 “Po qe se e bëri kusht arën e pronës së vet dhe ia ka shenjtëruar Zotit, çmimi le t’i vlerësohet sipas masës së mbjelljes: nëse toka mbillet me tridhjetë homer elb, le të çmohet pesëdhjetë sikla argjendi. 17 Nëse e kushtoi tokën menjëherë pas vitit jubilar, le të çmohet aq sa të vlejë sipas këtij vlerësimi. 18 Por, nëse kushtohet pas një kohe të caktuar, prifti le t’ia caktojë shumën e parasë sipas numrit të viteve që mbesin deri në jubile, duke zbritur numurin e viteve të mëparshme.

19 Po qe se ai që e kushtoi tokën do ta shpërblejë, le ta shtojë të pestën e vlerës përmbi çmim, e le ta ketë. 20 Po nëse nuk do ta shpërblejë, por ia shet një tjetri, kushdo ai qoftë, nuk do të mund të shpërblehet më; 21 por, kur të vijë dita e jubileut, do të jetë gjë e shuguruar Zotit si arë e kushtuar ‘për sosje’: do të bëhet pronë e priftit.

22 Po nëse i bëhet kusht Zotit një arë e blerë, që nuk është nga prona e të parëve, 23 prifti le t’i caktojë çmimin sipas numrit të vjetëve deri në jubile dhe po atë ditë le ta paguajë çmimin si gjë të shuguruar Zotit. 24 Në vitin e jubileut toka le t’i kthehet pronarit të mëparshëm që e pati shitur, atij prona e të cilit ishte trashëgim.

25 Të gjitha vlerësimet le të bëhen në sikla të Shenjtërores. ‑ Sikli vlen njëzet gera”.

regulla të veçanta për shpërblim

a/ Të parëlindurit

26 “Askush s’mund t’ia shugurojë Zotit me kusht të parëlindurin e kafshëve, që edhe ashtu i përket Zotit: qoftë bagëti e trashë qoftë e imët, i përket Zotit.

27 Nëse është prej kafshëve të papastra, le ta shpërblejë ai që e kushtoi sipas çmimit dhe le ta shtojë të pestën e çmimit; nëse nuk do ta shpërblejë, le të shitet sa është vlerësuar”.

b/ Gjëja e kushtuar ‘për sosje’

28 “Porse asnjë gjë qi i është kushtuar Zotit “për sosje” prej pronës së ndokujt dhe i është shuguruar atij: qoftë ai njeri, kafshë ose arë, as s’mund të blehet as s’mund të shpërblehet; çdo gjë që t’i jetë shuguruar njëherë Zotit, do të jetë gjëja më e shenjtë në nder të Zotit. 29 Dhe çdo njeri që të jetë bërë kusht “për sosje”, të mos shpërblehet, por të vritet”.

c/ Të dhjetat

30 Për bagëti merrej e dhjeta vetëm e kafshëve të pastra. “Të gjitha të dhjetat e tokës qofshin drithëra ose fruta të pemëve, i përkasin Zotit, gjë e shenjtë në nder të Zotit. 31 Nëse ndokush dëshiron të shpërblejë ndonjë pjesë të dhjetave të veta, le të shtojë përmbi të të pestën pjesë. 32 Të gjitha të dhjetat: lopë, dele, dhi, që kalojnë nën shkopin e bariut, d. m. th. çdo e dhjeta, le të jetë e shuguruar Zotit. 33 Mos të shikohet a është e mirë apo e keqe, dhe të mos ndërrohet me tjetër; po qe se ndokush e ndërron, atëherë ajo që u ndërrua dhe ajo me të cilën ndërrohet, le jetë e shuguruar Zotit dhe të mos shpërblehet”.

34 Këto janë urdhërimet që Zoti ia dha Moisiut në malin Sinai për bijtë e Izraelit.