Filipianëve: 1. Uratët e Palit për filipianët

1

1 Pali dhe Timoteu, shërbëtorët e Krishtit Jezus: të gjithë shenjtërve në Krishtin Jezus që janë në Filipe me mbikqyrës dhe me diakonë:

2 paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot.

Uratët e Palit për filipianët

3 Gjithmonë, sa herë më bie ndër mend për ju, falënderoj Hyjin tim. 4 Gjithëherë e në çdo lutje që bëj, lutem me gëzim për ju të gjithë 5 për arsye të pjesëmarrjes tuaj në përhapjen e Ungjillit që prejditës së parë e deri tani. 6 Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në Ditën e Krishtit Jezus.

7 Dhe është e drejtë t’i kem këto ndjenja për ju! Për të vërtetë, unë ju mbaj në zemrën time, sepse ju të gjithë jeni pjesëtarët e hirit tim në prangat e mia, në mbrojtjen e në përforcimin e Ungjillit.

8 Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit! 9 Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë, 10 që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për Ditën e Krishtit, 11 plot me fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin ‑ për lavdi e nder të Hyjit.

Krishti është jeta ime

12 Dëshiroj, vëllezër, ta dini këtë gjë: të vështirat që më ndodhën ndihmuan shumë më tepër në përhapjen e Ungjillit, 13 sepse në mbarë pretoriumin e gjithkund gjetiu u mor vesh se gjendem në pranga për shkak të Krishtit, 14 dhe shumica e vëllezërve, e trimëruar në Krishtin për shkak të prangave të mia, gjithnjë e më tepër merr guxim ta shpallë pa frikë fjalën.

15 Njëmend disa e predikojnë Krishtin të shtyrë prej smirës e prej rivalitetit, por disa të tjerë prej qëllimit të mirë. 16 Këta veprojnë me dashuri. E dinë se unë gjendem këtu për arsye të mbrojtjes së Ungjillit, 17 kurse ata e shpallin Krishtin të shtyrë prej rivalitetit. Qëllimet e tyre nuk janë të pastërta: mendojnë se kështu do t’i bëjnë më të vështira prangat e mia. 18 Ani, çka ndodh? asgjë tjetër veçse predikohet Krishti, qoftë për qëllime të tjera, qoftë me çiltëri. Kësaj gjëje i gëzohem dhe do t’i gëzohem! 19 Sepse e di se në saje të lutjeve tuaja dhe të ndihmës së Shpirtit të Jezu Krishtit kjo do të më vlejë për shëlbim, 20 sikurse pres me dëshirë të flaktë dhe shpresoj se nuk do të turpërohem për asgjë, porse me guximin tim të plotë ‑ si gjithmonë ashtu edhe tani ‑ Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdiqsha.

21 Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë! 22 Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! 23 Jam ndërdyshas: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, [sepse] kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, 24 por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. 25 Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, 26 që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju.

27 Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që ‑ kur të vij e t’ju shoh, ose, larg prej jush ‑ kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit 28 pa farë frike të armikut. Kjo gjë është shenja paralajmëruese e dënimit të tyre dhe e shëlbimit tuaj: dhe kjo vjen prej anës së Hyjit. 29 Sepse juve Hyji ju dha hirin t’i shërbeni Krishtit jo vetëm duke besuar në Të, por edhe duke pësuar për Të, 30 duke bërë po të njëjtën luftë që patë se bëra unë dhe që dëgjoni se e bëj edhe tani.

Filipianëve: 2. Përvujtëria e krishterë dhe përvujtëria e Krishtit

2

1 Nëse, pra, vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, 2 atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! 3 Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbajeni njëri‑tjetrin më të madh se veten. 4 Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve.

5 Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus:

6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj,

barazinë e vet me Të

nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,

7 por ia mohoi vetvetes

e mori natyrën e shërbëtorit

dhe u bë i ngjashëm me njerëz

dhe, për kah pamja e jashtme,

dukej vetëm njeri.

8 E përuli vetveten

duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,

mu deri në vdekjen në kryq.

9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve

dhe i dha emrin që është mbi çdo emër

10 që në Emër të Jezusit

të përkulet çdo gju

i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë

11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë:

‘Jezu Krishti është Zot!’

Në nder të Hyjit Atë.

Shndritni si pishtarë në botë

12 Kështu, pra, të dashurit e mi, ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë të madhe për shëlbimin tuaj. 13 Sepse Hyji është ai që, sipas mirësisë së vet, ndikon në ju e të doni e të veproni. 14 Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, 15 që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në mes të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë, 16 duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës që të mund të mburrem në Ditën e Krishtit se nuk kam vrapuar kot dhe nuk jam munduar kot. 17 Mu, përkundrazi, edhe në qoftë se duhet që gjaku im të derdhet si fli njomëse e shërbesës hyjnore për fenë tuaj, jam i kënaqur dhe galdoj bashkë me ju. 18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe galdoni bashkë me mua!

Timoteu dhe Epafroditi

19 Shpresoj, pra, në Zotin Jezus, se së shpejti do ta dërgoj te ju Timoteun, që të kënaqem edhe unë kur të marr vesh për gjendjen tuaj. 20 Dhe njëmend, s’kam askënd tjetër që të na përkojnë shpirtrat, që pa u kursyer të kujdeset për ju, 21 sepse të gjithë të tjerët kërkojnë interesin e vet e jo atë të Jezu Krishtit. 22 Dhe ju e dini se ky e ka vërtetuar ndershmërinë e vet në çdo pikëpamje, pasi si fëmija me t’anë ka shërbyer bashkë me mua në përhapje të Ungjillit. 23 Këtë, pra, shpresoj se do ta dërgoj posa të shoh se si do të marrë puna ime. 24 Por jam i bindur në Zotin se së shpejti do të vij edhe vetë te ju.

25 Ndërkaq e çmova të nevojshme ta dërgoj te ju Epafroditin, vëllanë, bashkëpunëtorin dhe bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar të më ndihmojë në nevojat e mia. 26 Po e dërgoj sepse kishte dëshirë të madhe të shihej me ju të gjithë dhe vuante se ju kishit marrë vesh se është i sëmurë. 27 Edhe, vërtet, qe i sëmurë për vdekje, porse Hyji pati dhimbje për të dhe, jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim. 28 Prandaj e nisa shpejt e shpejt që, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe edhe unë të kem më pak trishtim. 29 Bëjini, pra, në Zotin një pritje vërtet të gëzueshme dhe çmojini fort njerëzit e tillë, 30 sepse, për veprën e Krishtit për pak sa s’vdiq; jetën e vet e vuri në rrezik për të plotësuar atë që ju s’mund të bënit për shërbimin tim.

Filipianëve: 3. Udha e vërtetë e shëlbimit

3

1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin!

T’ju shkruaj të njëjtat gjëra unë nuk e kam të vështirë, kurse për ju është përforcim: 2 Ruajuni prej “qenve”! Ruajuni prej punëtorëve të këqij! Ruanu Ruajuni prej rrethprerjes gjymtuese! 3 Sepse, ne jemi të rrethprerët “e vërtetë”, ne që në Shpirtin e Hyjit kryejmë shërbesën hyjnore dhe mburremi në Krishtin Jezus dhe nuk shpresojmë në trup. 4 Megjithatë, unë do të mund të shpresoja edhe në trup, sepse, në mendoftë ndokush se ka arsye të shpresojë në trup ‑ unë edhe më tepër! 5 I rrethprerë të tetën ditë, izraelit me kombësi, nga fisi i Beniaminit, hebre prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise; 6 për kah zelli, salvues i Kishës e, për sa i përket drejtësisë ‑ asaj të Ligjit ‑ i patëmetë.

7 Por të gjitha këto që i mbaja si përparësi, tani i çmoj si një bjerrje për shkak të Krishtit. 8 Madje unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin 9 dhe të gjendem në Të ‑ jo me drejtësinë time ‑ me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe ‑ 10 që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tij, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, 11 që në ndonjë mënyrë të mund ta arrij ngjalljen e të vdekurve.

Vrapimi drejt qëllimit

12 Jo, si t’ia kisha arritur,

as, si të isha bërë i përsosur,

por ‑ vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë,

sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit [Jezus].

13 Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur, di vetëm kaq:

harroj çka kam lënë pas

dhe zgjatem drejt së ardhmes,

14 sulem drejt qëllimit,

drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.

15 Ne, pra, që e kemi arritur “pjekurinë”, ta kemi në mendje këtë gjë! Po, nëse e mendoni ndryshe, pikërisht kështu Hyji do t’jua zbulojë. 16 Ndërkaq, prej asaj pike ku kemi arritur ‑ të vazhdojmë të përparojmë asaj hullie.

17 Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë sipas shembullit që keni në ne. 18 Sepse, siç ju kam thënë shpeshherë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! 19 Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në turp ‑ ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. 20 Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. 21 Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka.

Filipianëve: 4. Qortime

4

1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, ‑ qëndroni të fortë në Zotin.

Qortime

2 E porosis Evodinë dhe e përbetoj Sintikën të jetojnë në përkim me Zotin. 3 Po të lutem edhe ty, Shok i dashur, ndihmoju sepse ato luftuan bashkë me mua për Ungjill, së bashku me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi, emrat e të cilëve gjenden në “librin e jetës”.

4 Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! 5 Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është afër! 6 Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me lutja të përcjella me falënderim ‑ paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! 7 Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.

8 Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. 9 Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

Falënderim filipianëve për ndihmat

10 Jam tejet i gëzuar në Zotin, pse kujdesi juaj ndaj meje mundi së fundi të lulëzojë. Vërtet, ju edhe më parë keni menduar të kujdeseni për mua, por nuk keni pasur rast. 11 Nuk po them kështu për arsye të s’kamjes, sepse ju e dini se unë jam mësuar të jem i kënaqur me aq sa kam.

12 Di të jetoj në skamje

dhe di të jetoj në pasje.

Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka:

të ngihem e të jem i uritur,

të kem mjaft e të kem pak!

13 Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!

14 Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time.

15 Po edhe ju, o filipianë, e dini mirë se në fillim të predikimit të Ungjillit, kur u nisa prej Maqedonisë, asnjë kishë nuk më dha gjë lidhur me “të dala e të marra”, përveçse vetëm ju. 16 Madje edhe në Selanik kur isha në nevojë, më dërguat ndihma një herë e dy herë. l7 Jo, nuk kërkoj dhurata, por kërkoj fryt të begatshëm në dobinë tuaj.

18 Kam gjithçka më duhet, madje edhe për së tepërmi: jam plot me çdo të mirë që mora prej Epafroditit, çka ju më dërguat: “erë e mirë” ‑ fli e erëndshme që i pëlqen Hyjit. 19 Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. 20 Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Përshëndetjet e fundit

21 Përshëndetni çdo shenjt në Jezu Krishtin!

Vëllezërit që janë me mua ju bëjnë të fala. 22 Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit, sidomos ata që janë të pallatit të perandorit.

23 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtrat tuaj!