1 e Gjonit: 1. Hyji është dritë

1

1Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, 2 – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – 3 çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 4 Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë.

Hyji është dritë

5 Dhe kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire! 6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne rrejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën. 7 Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. 9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

1 e Gjonit: 2. Krishti, mbrojtësi ynë

2

1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. 3 Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tij. 4 Kush thotë: »Unë e njoh Atë«, por nuk i mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtet dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. 6 Kush thotë se qëndron në Të i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci Ai.

Urdhri i ri

7 Të dashurit e mi, nuk po ju shkruaj për një urdhër të ri, por për urdhrin e vjetër, që e patët që në fillim. Ky urdhër i vjetër është fjala që e dëgjuat. 8 Prapëseprapë ky, për të cilin po ju shkruaj, është urdhër i ri – vërtetohet në Të dhe në ju – pse errësira po kalon e drita, ajo e vërteta, po ndriçon. 9 Kush thotë: »jam në dritë«, por e urren të vëllain, ai mbetet ende në errësirë. 10 Kush e do vëllain e vet, ai është vazhdimisht në dirtë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë. 11 Kush e urren vëllain e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon, sepse terri ia ka verbuar sytë. 12 Po ju shkruaj, fëmijëzit e mi: »Mëkatet tuaja janë falur në fuqi të Emrit të tij!« 13 Po ju shkruaj, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit!« Po ju shkruaj, o të rinj: »E mundët Djallin!« 14 Ju shkrova, o fëmijëz: »E njohët Atin«, Ju shkrova, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit«. Ju shkrova, o të rinj: »Jeni të fortë e fjala e Hyjit është në ju dhe e mundët Djallin«. 15 Mos e doni botën as gjërat që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. 16 Sepse çdo gjë që është e botës: - lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës – nuk është prej Atit, por vjen prej botës. 17 Bota kalon dhe lakmia e saj, kurse mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Hyjit.

Antikrishti

18 Fëmijëzit e mi, është ora e fundit! Dhe, siç keni dëgjuar, Antikrishti po vjen! Tashmë erdhën shumë antikrishta: këndej e dimë se është ora e fundit. 19 Prej nesh dolën, por nuk ishin prej tanëve. Sepse, të kishin qenë prej tanëve, do të kishin qëndruar me ne, por duhej të shfaqej se jo të gjithë ishin tanët. 20 Ju keni Shugurimin prej Shpirtit Shenjt e keni edhe dijen. 21 Nuk ju shkrova pse ju nuk e dinit të vërtetën, por pse e dinit dhe pse asnjë gënjeshtër nuk vjen prej së vërtetës. 22 Kush është rrenacak në qoftë se nuk është ai që pohon se Jezusi nuk është Mesia? Antikrishti është ai, që mohon Atin e Birin. 23 Secili që mohon Birin nuk e ka as Atin. Kush pranon Birin, ka edhe Atin. 24 E ju - çka dëgjuat që prej fillimit, ajo edhe le të mbetet në ju. E nëse do të mbetet në ju çka dëgjuat që prejfillimit, edhe ju do të mbeteni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që Ai na e bëri: jeta e pasosur. 26 Kaq ju shkrova lidhur me ata që kërkojnë t’iu gënjejnë. 27 E ju – Shugurimi që keni marrë prej tij, qëndron në ju dhe nuk keni nevojë t’iu mësojë kush, por çdo gjë ju mëson Shugurimi i tij – është e vërtetë dhe nuk është gënjeshtër – dhe, siç ju ka mësuar, qëndroni në Të.

Fëmijëzit e Hyjit

28 Tani, fëmijëzit e mi, qëndroni në Të që të jemi plot shpresë kur të shfaqet dhe të mos turpërohemi para tij në Ditën e Ardhjes së tij. 29 Nëse e dini se Ai është i drejtë e dini edhe se çdonjëri që e zbaton drejtësinë është i lindur prej tij.

1 e Gjonit: 3. Dashuria vëllazërore

3

1 Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. 2 Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashut siç është. 3 Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër. 4 Kush bën mëkat, shkel Ligjin, sepse mëkati është shkelja e Ligjit. 5 Dhe e dini: Jezusi u shfaq për të hequr mëkatet, e mëkat në Të nuk ka. 6 Kushdo qëndron në Të, nuk mëkaton. Kushdo mëkaton, nuk e pa as nuk e njohu Atë. 7 Fëmijëzit e mi, të mos ju gënjejë askush! Kush ushtron drejtësinë, është i drejtë, sikurse edhe Ai është i drejtë. 8 Kush bën mëkat, është prej djallit, sepse djalli mëkaton që prejfillimit. Prandaj edhe u shfaq Biri i Hyjit që t’i zhdukë veprat e djallit. 9 Kushdo është i lindur prej Hyjit, nuk bën mëkat, sepse fara e Atij mbetet në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse është i lindur prej Hyjit. 10 Prej kësaj dallohen bijtë e Hyjit prej bijve të djallit: kush nuk ushtron drejtësinë dhe kush nuk e do vëllain, nuk është prej Hyjit.

Dashuria vëllazërore

11 Sepse kjo është shpallja që e dëgjuat që në fillim: që ta duam njëri-tjetrin! 12 Jo, si Kaini që ishte prej Djallit dhe e vrau të vëllanë. E pse e vrau? Pse veprat i kishte të këqija, kurse ato të të vëllait ishin të drejta. 13 (Dhe) Mos u çuditni, vëllezër, nëse ju urren bota! 14 Ne e dimë se kemi kaluar prej vdekjes në jetë, për arsye se i duam vëllezërit. Kush nuk ka dashuri, mbetet në vdekje. 15 Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar. Dhe mirë e dini se asnjë vrastar nuk e ka në vetvete jetën e pasosur. 16 Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi për detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër. 17 Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të? 18 Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!

Shpresën ta kemi në Hyjin

19 (Dhe) Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij 20 në qoftë se ajo na qorton për ndonjë gjë. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. 21 Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji 22 dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e tij dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. 23 Ky është urdhri i tij: që të besojmë në Emrin e Birit të tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. 24 Kush i mban urdhërimet e tij, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.

1 e Gjonit: 4. Shpirti i Hyjit dhe shpirti i Antikrishtit

4

1 Të dashurit e mi! Mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për t’i vërtetuar a janë të Hyjit, sepse shumë profetë të rrejshëm janë shpërndarë nëpër botë. 2 Me këtë mund ta njihni shpirtitn që vjen prej Hyjit: çdo shpirt që dëshmon se Jezu Krishti ka ardhur në trup, është prej Hyjit. 3 Kurse çdo shpirt që nuk e dëshmon Jezusin të tillë, nuk është prej Hyjit: është prej Antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen e tani edhe është në botë. 4 Ju, o fëmijëzit e mi, jeni prej Hyjit dhe i keni mundur ata, sepse është më i fortë Ai që është në ju se ai që është në botë. 5 Ata janë nga bota prandaj edhe flasin me gjuhën e botës, dhe bota i dëgjon. 6 Ne jemi prej Hyjit. Kush e njeh Hyjin, ai na dëgjon, kush nuk është prej Hyjit, ai nuk na dëgjon. Me këtë gjë e dallojmë shpirtin e së vërtetës prej shpirtit të gabimit.

Hyji është dashuri

7 Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. 8 Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. 9 Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij. 10 Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. 11 Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin. 12 Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. 13 Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet. 14 Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës. 15 Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin. 16 Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të. 17 Në këtë përmbahet përsosmëria e dashurisë ndaj nesh: kemi sigurinë e plotë për Ditën e Gjyqit, sepse, siç është Ai, jemi edhe ne në këtë botë. 18 Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën, pse frika nënkupton ndëshkimin. Pra, ai që trembet, nuk është i përsosur në dashuri. 19 Ne duam sepse Ai na deshi më parë. 20 Nëse ndokush thotë: »E dua Hyjin«, e këndej e urren vëllain e vet, është gënjeshtar. Sepse kush nuk e do vëllain e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë. 21 Prej tij e kemi edhe këtë urdhër: Kush e do Hyjin, duhet ta dojë edhe vëllain e vet.

1 e Gjonit: 5. Feja ngadhënjen mbi botën

5

1 Kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij. 2 Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tij. 3 Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tij nuk janë të rënda. 4 Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! 5 Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?

Dëshmia lidhur me Birin

6 Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. 7 Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: 8 Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme. 9 Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është kjo, me të cilën dëshmoi për Birin e vet: 10 kush beson në Birin e Hyjit e ka dëshminë në vetvete. Kush nuk i beson Hyjit, e ka bërë Atë gënjeshtar, sepse nuk i ka besuar dëshmisë, me të cilën Hyji i bëri dëshmi Birit të vet. 11 Dhe kjo është dëshmia: Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij. 12 Kush e ka Birin, ka jetën, kush nuk e ka Birin e Hyjit, nuk e ka jetën.

Njohja e jetës së amshuar

13 Kaq ju shkrova juve që besoni në Emrin e Birit të Hyjit, që ta dini se e keni jetën e pasosur. 14 Dhe kjo është siguria që kemi te Ai: nëse kërkojmë gjë sipas vullnetit të tij, Ai na e plotëson lutjen. 15 Duke e ditur se na e plotëson lutjen për gjithçka kërkojmë, atëherë e dimë se i kemi ato që i kërkuam prej tij, tamam sikur t’i kishim në dorë. 16 Nëse ndokush e sheh vëllain e vet se bën mëkat që nuk çon në vdekje, le të lutet dhe Hyjit do t’ia japë jetën – atyre që bëjnë mëkatin që nuk çon në vdekje -. Ka mëkat që çon në vdekje: për të nuk po them të lutet. 17 Çdo padrejtësi është mëkat. Ka edhe mëkat që nuk çon në vdekje. 18 E dimë: kushdo është i lindur prej Hyjit nuk mëkaton: I Linduri prej Hyjit e ruan e Djalli nuk guxon ta prekë. 19 E dimë: ne jemi prej Hyjit kurse mbarë bota është nën pushtetin e Djallit. 20 Dimë edhe: Biri i Hyjit erdhi dhe na e dha dijen që ta njohim të Vërtetin. E ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij, Jezu Krishtin. Ky është Hyji i vërtetë edhe Jeta e pasosur. 21 Fëmijëzit e mi, ruajeni veten prej idhujve!