1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Joelit, birit të Fatuelit.
I. FRUSHKULLI I KARKALECAVE
1. LITURGJI VAJI E LUTJEJE
A. Vajtim mbi rrënimin e vendit
2 Dëgjojeni, këtë, o pleq,
vërjani veshin e kuptoni,
të gjithë ju, o banuesit e tokës!
Një gjë e tillë a ndodhi në ditët tuaja
ose në ditët e etërve tuaj?
3 Tregojuni bijve tuaj,
e bijtë tuaj bijve të vet
e bijtë e tyre breznisë së ardhshme!
4 Çka la vemja e hëngri karkaleci,
karkaleci çla e hëngri krimbaleshi,
krimbaleshi çla e hëngri bulkthi!
5 Zgjohuni, të dehur, e vajtoni,
ulëritni të gjithë që pini verë
përmbi musht që prej gojës ju hoq!
6 Sepse u sul kundër vendit tim
një popull i madh që nuk mund të numërohet:
dhëmbët e tij porsi të luanit,
e dhëmballët si të luaneshës!
7 Vreshtin tim e ktheu në shkretëtirë,
gemat fiqve ua cungoi,
i zhveshi edhe i flaku,
u zbardhuan gemat e tij!
8 Qaj si vasha e veshur në zi
për të fejuarin e rinisë së vet!
9 U zhduk kushti edhe njomja
nga Shtëpia e Tenzot;
në zi u veshën priftërinjtë,
shërbëtorët e Tenzot.
10 U përmbys anembanë fusha,
vajton toka,
sepse drithi është dëmtuar,
mbaroi mushti,
sharroi vaji!
11 Vajtoni, o bujq,
dënesni, vreshtarë,
përmbi grurë e përmbi elb,
se mbaruan të korrat!
12 U tha hardhia,
u vyshk fiku,
shega, palma edhe molla,
të gjitha pemët e fushës u thanë!
U fik gëzimi
prej bijve të njerëzve!
B. Grishje për pendesë e për lutje
13 Vishuni me grathore e qani, o priftërinj,
vajtoni, o shërbëtorë të lterit!
Ejani, në grathore flini,
shërbëtorët e Hyjit tim,
se mbaroi në Shtëpi të Hyjit tuaj
flia e kushtit edhe e njomjes.
14 Shenjtërohuni me agjërim,
shpalleni një mbledhje të shenjtë,
bashkoni pleqtë,
të gjithë banorët e vendit
në Shtëpinë e Hyjit tuaj!
Thuajini Zotit:
15 Eheu, ditë e zezë!
U afroka Dita e Zotit:
si shkatërrim po vjen prej të
Gjithëpushtetshmit!
16 Ushqimet, vallë, su zhdukën
para syve tuaj,
gëzimi e hareja
prej Shtëpisë së Hyjit tuaj?
17 U kalb fara
për nën buca,
u rrëzuan drithnikët,
u rrënuan grunarët,
pse u zhduk drithi.
18 Pse gjëmojnë kafshët?
Pse tërbuar janë loritë e gjedhit?
Pse kullotë për to më ska!
Mbaruan dhe grigjat e deleve!
19 Ndihmë, o Zot, te ti bërtas,
sepse zjarri i përlau
kullotat e shkretëtirës,
flaka i dogji
të gjitha pemët e fushës!
20 Madje edhe të malit egërsirat
rënkojnë drejt teje,
sepse u shterën burimet,
edhe zjarri i përpiu
kullotat e shkretëtirës.
C. Dita e Zotit e shkatërrimi i tashëm
1 Bini borisë në Sion,
lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë!
Le të dridhen të gjithë banorët e vendit,
se erdhi Dita e Zotit,
sepse është afër!
2 Ditë errësire e ditë terri,
ditë reje e thellimi!
Si agimi shtrihet përmbi male
një popull i madh dhe i fortë:
një i tillë ska qenë më parë,
një i tillë nuk do të jetë pas
në vjetët e ardhshme brez pas brezi!
Njësitë pushtuese
3 Para tij zjarri përpin
e pas tij flaka përlan!
Para tij vendi është
si kopsht parajse,
e pas tij shkatërrim shkretëtire!
Asnjë gjë nuk i shpëton!
4 Për nga dukja i ngjan kalit
e vrapojnë porsi kalorësit.
5 Ushtimë katërrotash të duket,
kërcejnë përmbi maja malesh,
si pëlcitje flake zjarri
kur hamallët digjen shkrumb,
porsi ushtria e shumtë,
për luftë e gatshme!
6 Para tyre dridhen popujt,
zhukë fytyra u bëhet.
7 Vrapojnë porsi trima,
porsi luftëtarët mureve u kapen,
secili ecën udhës së vet
e su shmangen shtigjeve të veta.
8 Asnjëri se ngushton vëllain e vet,
secili ecën drejtimit të vet,
përshkohen përmes shigjetash
e nuk ndalen!
9 Hyjnë në qytet,
në mure ngjiten,
në shtëpi zbresin,
nëpër dritare porsi cubat hyjnë.
Vegimi i Ditës së Zotit
10 Para tij u trand toka,
u tund qielli,
u errësuan dielli e hëna,
edhe yjet zunë të mos ndritin!
11 Edhe Zoti bëri të dëgjohet
zëri i tij në krye të ushtrisë së vet.
Vërtet është e madhe ushtria e tij,
e fortë edhe zbatuese e urdhrit të tij!
Vërtet është e madhe Dita e Zotit,
shumë e tmerrshme, kush mund ti bëjë ballë?
D. Grishje për pendesë
12 Që tani ‑ është fjala e Zotit ‑
kthehuni me gjithë zemër kah unë,
me agjërim, me vaj e dënesje!
13 Shqyeni zemrat e jo petkat,
kthehuni kah Zoti Hyji i juaj,
sepse është i butë e edhe i mëshirshëm,
i durueshëm e shumë i dhimbshëm,
ndien keqardhje për fatkeqësi.
14 Kush e di? Ndoshta kthehet edhe fal
e lë pas vetes, ndoshta, bekimin!
Kushte, njomje
Zotit Hyjit tuaj!
15 Bini borisë në Sion!
Shenjtërohuni me agjërim,
shpalleni një mbledhje të shenjtë!
16 Bashkojeni popullin,
shenjtërojeni mbledhjen,
mblidhni pleqtë,
mblidhni të vegjlit e foshnjat e gjirit,
le të dalë dhëndri nga dhoma e vet,
le të dalë nusja nga oda e vet!
17 Ndërmjet tremes dhe lterit
le të qajnë priftërinjtë
shërbëtorët e Zotit
e le të thonë:
Fale, o Zot, popullin tënd,
mos lejo të turpërohet prona jote
e të sundojnë mbi të paganët!
Përse të thuhet ndër paganë:
Ku është tani Hyji i tyre?
II. PËRGJIGJJA E ZOTIT
18 Iu dhembs Zotit toka e vet,
e fali popullin e vet.
Mbarimi i frushkullit dhe çlirimi
19 Iu përgjigj popllit të vet Zoti:
Ja se unë po ju dërgoj
drithra, verë edhe vaj,
do të keni gjithsa tju duhet!
E askurrë më sdo të lejoj
të bëheni turp për paganë.
20 Atë që vjen prej Veriut,
larg do ta tres prej jush,
do ta hedh në vend të thatë e të shkretë:
pararojën në det të lindjes,
praparojën në det të perëndimit:
do ti ngjitet lart qelbësira,
do ti ngjitet lart kalbësira.
Sepse bëri punë të mëdha.
Vegimi i begatisë
21 Mos ki frikë, o Tokë,
gëzo e galdo,
sepse Zoti bëri punë të madhe!
22 Mos u trembni, kafshët e vendit,
kullotat e shkretëtirës lulëzuan,
i dhanë pemët frutat e veta,
pasurinë e vet e dha
fiku edhe hardhia.
23 Bij të Sionit, shpërtheni në hare,
gëzohuni në Zotin Hyjin tuaj,
sepse jua dhuroi
shiun e drejtësisë
e bëri të zbresë mbi ju
shiu i hershëm edhe i voni
si më parë!
24 Lëmenjtë do të mbushen me grurë,
tinarët do të mbushen plot e përplot
me verë të re e me vaj të freskët.
25 Unë do tjua plotësoj gjërat
që jua përlau
karkaleci e krimbaleshi,
bujkthi e vemja
‑ ushtria ime e madhe
që e çova kundër jush.
26 Do të hani e do të ngiheni,
do të lëvdoni emrin e Zotit Hyjit tuaj,
sepse bëri mrekulli me ju:
kurrë më populli im nuk do të turpërohet!
27 Do ta dini se jam vetë mes Izraelit,
unë Zoti, Hyji juaj,
e tjetër ska:
kurrë më turp për popullin tim!
1 E pas këtyre:
Do ta ndikoj Shpirtin tim
mbi çdo njeri
e do të bëhen profetë bijtë e bijat tuaja,
pleqtë tuaj ëndrra do të shohin,
djelmoshat tuaj do të kenë vegime.
2 Madje edhe mbi skllevër të mi ‑ burra e gra,
në ato ditë do ta ndikoj Shpirtin tim.
3 Do të bëj shenja të bindshme në qiell e në tokë:
gjak e zjarr e shtylla tymi!
4 Dielli do të kthehet në terr
e hëna në gjak
para se të vijë dita e Zotit
e madhe dhe e tmerrshme!
5 Do të ndodhë:
Gjithkush që ta thërrasë emrin e Zotit
do të shëlbohet,
sepse shpëtimi do të jetë
në Malin Sion e në Jerusalem
‑ sikurse tha Zotynë ‑
e ndër të mbeturit gjallë ata
që Zoti ti thërrasë.
1 Sepse, ja, ndër ato ditë
e në atë kohë,
kur ta përmirësoj fatin
e Judës e të Jerusalemit,
2 do ti mbledh të gjithë popujt
e do ti çoj në fushën e Jozafatit.
Atje do të bëj gjyq me ta
lidhur me popullin tim,
Izraelin, pronën time,
që i shpërndanë nëpër kombe
dhe e ndanë tokën time.
3 Mbi popullin tim hodhën short,
i ndërruan djelmoshat me lavire,
vajzat i shitën për verë e pinë!
Paditje kundër fenicianëve e filistenjve
4 Çfarë mendoni në të vërtetë, të më bëni ju, Tir e Sidon, dhe mbarë krahinat e Filistesë? Pse, a thua doni të më hakmerreni? Po edhe nëse do të hakmerreni kundër meje, unë aspak pa u vonuar, hakmarrjen tuaj do ta sjell mbi kokën tuaj!
5 Sepse ju jeni ata që e morët argjendin tim, arin tim dhe i mbartët dhe i çuat gjërat e mia të çmueshme në tempujt tuaj, 6 ju që ua shitët bijtë e Judës e të Jerusalemit grekëve për ti tretur sa më larg prej atdheut të tyre, 7 ja, pra, unë do ti çoj nga vendi ku ju i shitët dhe hakmarrjen tuaj do ta kthej mbi kokën tuaj. 8 Do ti shes bijtë tuaj e bijat tuaja me dorë të bijve të Judës. Do tua shesin sabenjve, një populli të largët. Sepse kështu ka folur Zoti.
Grishja të mblidhen popujt
9 Shpalleni këtë ndër popuj:
shenjtërohuni për luftë!
Çoni në këmbë trimat!
Le të vijnë, le të sulen
të gjithë luftëtarët!
10 Ktheni plorët tuaj në shpata,
drapërinjtë tuaj në heshta,
le të thotë i ligshti:
Trim i fortë jam unë!
11 Shpërtheni e ejani,
të gjithë popujt e rrethit
dhe këtu bashkohuni!
Silli, o Zot, trimat e tu!
12 Le të çohen e le të ngjiten të gjitha kombet
në fushën e Jozafatit,
sepse aty do të ulem të gjykoj
të gjitha kombet përreth!
13 Në dorë merrni drapërinjtë,
sepse u poqën të korrat!
Ejani e shtrydhni
se shtrydhësi është plot:
tinarët po ngufin e derdhen,
kaq e madhe ështe e keqja e tyre!
14 Popuj, o popuj,
në Luginën e Vendimit,
sepse është afër Dita e Zotit
në Luginën e Vendimit!
Dita e Zotit
15 U terratisën diell e hënë,
yjet e humbën shkëlqimin e vet!
16 Ulërin Zoti nga Sioni,
i jehon zëri nga Jerusalemi;
dridhen qielli edhe toka!
Për popull të vet strehim është Zoti,
fortesë për bij të Izraelit!
17 Do ta dini se unë jam Zoti,
Hyji juaj,
që banoj në Sion,
Malin tim të shenjtë!
Vendi i shenjtë do të jetë Jerusalemi,
npër të sdo të kalojnë më të huajt!
III. KOHA PARAJSORE E RIPËRTËRITJES SË IZRAELIT
18 Atë ditë
malet do të rigojnë musht,
dhe me qumësht do të rrjedhin kodrat,
të gjithë përrenjtë e Judës
do të rrjedhin ujë;
prej Shtëpisë së Zotit do të dalë burimi
do ta ujitë luginën Setim.
19 Egjipti shkretëtirë do të bëhet,
Idumeja e përzhitur dhe e djegur
për dhunë të bërë bijve të Judës,
pse gjak të pafajshëm derdhën në tokë të tyre.
20 E Judeja përherë do të banohet,
prej breznie në brezni Ruzalemi!
21 Gjakun e tyre do ta marr,
sdo ta lë hupës tu shkojë,
në Sion Zoti do të banojë.