Mikea: 1. Gjykimi i Samarisë

1

Fjala e Zotit e drejtuar Mikesë nga Morasti në kohën e Joatamit, Akazit e Ezekisë, mbretërve të Judës. Vegimet e tij në lidhje me Samarinë e me Jerusalemin.

KËRCËNIME E DËNIME

2 Dëgjoni, popuj, të gjithë!

Të dëgjojë toka me gjithçka është në të!

Le të dëshmojë Zoti Hyj kundër jush,

Zoti nga Tempulli i tij i shenjtë!

3 Sepse, ja, Zoti po del nga vendi i vet i shenjtë:

Ai po zbret e po i shkel

majat e tokës!

4 Nën këmbë të tij po shkrihen malet,

pëlcasin luginat

porsi dylli para zjarrit,

si ujërat që derdhen shpatit!

5 E gjithë kjo për shkak të fajit të Jakobit,

për shkak të mëkateve të shtëpisë së Izraelit!

Cili është faji i Jakobit?

Pse a nuk është Samaria?

Cilat janë lartësirat e Judës?

A nuk është Jerusalemi?

Samarinë do ta bëjë grumbull gurësh,

arë ku mbëltohet hardhia!

Në luginë do t’ia rrotulloj gurët,

jashtë do t’ia nxjerr themelet!

7 Do t’ia copëtoj të gjitha truporet,

të gjitha shpërblimet do t’i digjen në zjarr,

do t’i rropos të gjithë idhujt e tij,

sepse u mblodhën me mëditje lavirësie,

prapë do të kthehen në pagë lavirësie!

Vajtim mbi qytetet e Vërrinit

8 Për këtë do të qaj e do të ulërij,

do të eci zbathur e zhveshur,

si çakalli do të ulërij,

porsi struci do të lëshoj gjëmë,

9 sepse e pashërueshme është varra e tij,

se arriti deri te Juda,

preku dyert e popullit tim

mu deri në Jerusalem!

Mos e hapni lajmin në Get,

lotë mos derdhni,

në Betleafër rrotullohuni në pluhur!

Shpërnguluni, banorët e Safirit,

me turp të mbuluar!

S’e lëshuan vendin banorët e Saananit!

Vaj e gjëmë në Betesel,

në të më nuk do të banoni!

Me të drejtë ia kanë frikën të mirës

banorët e Marotit

sepse prej Zotit zbriti fatkeqësia

në derën e Jerusalemit!

Mbërtheni në karroca kuajt,

o banorët e Lakisit!

Ky qe fillimi i mëkatit të bijës së Sionit,

se në ty u gjetën fajet e Izraelit!

Prandaj do t’ia japësh letërshkurorëzimin Moresetgetit.

Pallatet e Akxibit do të jenë

gënjim për mbretër të Izraelit.

Edhe një pushtues do ta dërgoj

ty, o banuese e Maresës!

Deri në Odolë do të arrijë

nderi i Izraelit!

16 Shkuli flokët edhe qethu

për fëmijët e kënaqësisë sate!

Shoge kokën si shqiponja kryeshogtë,

se po të çohen fëmijët në skllavëri.

Mikea: 2. Kundër shfrytëzuesve

2

Vaj për ata që e synojnë të keqen,

që sendërgjojnë mbrapshtinë në shtrojë!

Sa zbardh drita e sendërtojnë

se pushteti është në dorë të tyre!

2 I lakmojnë arat,

me dhunë i marrin;

u lakmojnë shtëpive,

i rrëmbejnë!

shtypin njeriun e shtëpinë e tij,

pronarin e pronën e tij!

3 Prandaj Zoti thotë kështu:

“Ja, kësaj pjelle ia mendoj të keqen,

të cilës qafën s’do të mund t’ia hiqni,

s’do të ecni më kryelartë,

se do të jetë kohë shumë e keqe.

4 Po atë ditë

përrallë do të bëheni,

do të këndohet mbi ju vajtimi

e do të thuhet:

“Sharruam! U shkretuam!

U mor prona e popullit tim,

askush s’ia kthen:

ndër të pafe ndahen krahinat tona!”

“Prandaj askush s’do të mbesë

që të ngrehë për ty konopin

e shortit në mbledhjen e Zotit.”

Profeti që ndjell zi

6 “Mos profetizoni!”

“Le të përjargen!”

“Për këto gjëra të mos profetojnë!

‑“S’do të bjerë turpi mbi ne!”

7 Pse a e mallkuar është shtëpia e Jakobit?

Vallë, mori fund duresa e Zotit?

E tillë është mënyra e veprimit të tij?

A s’janë të mira fjalët e tij

me atë që në drejtësi ecën?”

8 Jeni ju që vetiu ngriheni

armiq kundër popullit tim.

Atij që lahik s’ka

i merrni këmishën;

ata që në qetësi udhëtojnë

bëhen porsi robër lufte!

Gratë e popullit tim i dëboni

nga shtëpitë e kënaqjes së tyre;

fëmijëve të tyre ua merrni

stolinë e përhershme timen.

10 “Ngrihuni e ikni,

sepse këtu qetësi s’do të keni!”

Për shkak të ndyrësisë do të sharroni

me sharrimin që është më i keqi.

Po të ishte njeri që e shtyt era,

e të fliste rrena:

‘Do të të profetizojë

për verë e pije dehëse’,

ky do të ishte vegues për këtë popull!

Premtime për ripërtëritje

Po, tok do të mbledh krejtësisht, o Jakob,

në një do t’i mbledh Tepricat e Izraelit!

Do t’i bashkoj si grigjën në vathë,

porsi gjedhët në mes të kullosës,

do të jehojë zhurma prej shumicës së

njerëzve!

13 Para tyre do të ngjitet duke u hapur rrugën;

do të shpërthejnë, do të hyjnë për dere

e do të dalin;

mbreti i tyre do kalojë para tyre,

Zoti do të jetë në krye të tyre.

Mikea: 3. Kundër krerëve që shtypin vegjëlinë

3

1 Pastaj thashë:

“Dëgjoni, princa të Jakobit,

ju, o krerë, të shtëpisë së Izraelit:

Po a s’është detyrë juaja ta njihni

drejtësinë?”

2 Por ju e urreni të mirën dhe e doni të keqen!

Ju njerëzve ua rrjepni me dhunë lëkurën

e prej eshtrave ua shpulponi mishin!

3 Ia hanë mishin popullit tim,

lëkurën ia rrjepin,

eshtrat ia copëtojnë,

siç pritet mishi që piqet në tavë,

porsi mishi që zihet në vegsh!

4 Një ditë do ta thërrasin në ndihmë Zotin,

por Ai s’do t’i dëgjojë,

fytyrën e vet atë ditë

prej tyre do ta fshehë,

për veprat e këqija që bënë!

Kundër profetëve mëditës

5 Kështu thotë Zoti kundër profetëve

që e ngashnjejnë popullin tim,

që parakallëzojnë paqen

nëse kanë çka të bluajnë me dhëmbë,

e, nëse ndokush nuk ua mbush gojën,

ata kundër tyre shpallin luftë!

6 Këndej, në vend të vegimit

natë do të keni,

terr do të keni

në vend të zbulimit;

mbi profetë do të perëndojë dielli,

dita errësirë do t’u bëhet.

7 Veguesit do t’i mb’lojë marrja

e dijetarët të turpëruar do të mbesin,

të gjithë buzët do t’i mbulojnë,

sepse s’kanë prej Hyjit përgjigje.

8 Kurse unë jam plot fuqi

me forcën e Shpirtit të Zotit,

me drejtësi e me guxim

për t’ia kumtuar Jakobit fajin

e Izraelit, mëkatin e tij!

Përgjegjësve: lajmërim mbi mjerimin e Sionit

Dëgjoni këtu, princa të shtëpisë së Jakobit,

edhe ju, gjykatës të shtëpisë së Izraelit,

që në inat e keni drejtësinë,

që shtrembëroni çdo të drejtë,

10 që e ndërtoni me gjak Sionin,

me padrejtësi Jerusalemin!

11 Për dhurata krerët e tij gjykojnë,

për shpërblim mësojnë priftërinjtë e tij,

profetët e tij profetizojnë për para.

E guxojnë në Zotin të mbështeten

kur thonë:

‘Pse a s’është Zoti mes nesh?

E këqja mbi ne s’do të bjerë!’

12 Ja, prandaj, për fajin tuaj,

arë për lavër do të bëhet Sioni,

grumbull gurësh do të bëhet Ruzalemi,

Mali i Tempullit pyll i dendur!

Mikea: 4. Mbretëria e ardhshme e Zotit në Sion

4

E do të ndodhë në kohë ‑ që do të vijnë:

Mali i Shtëpisë së Zotit

do të ngallitë mbi majë të maleve,

do të lartësohet përmbi kodra!

Atëherë tek ai do të ngarendin popujt,

2 do të shkojnë me nxitim shumë popuj

e do të thonë: “Ejani

të ngjitemi në Malin e Zotit,

në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit,

për të na i mësuar udhët e veta

që t’i ndjekim shtigjet e tij!”

Sepse Ligji vjen nga Sioni,

fjala e Zotit nga Jerusalemi.

Ai do të gjykojë ndërmjet shumë popujve,

do t’i shqyrtojë popujt e fuqishëm

deri në vendet më të largëta.

Shpatat e veta do t’i kthejnë në palla,

në drapërinj heshtat e veta.

Një popull kundër tjetrit shpatën s’do ta nxjerrë,

s’do ta mësojnë më mjeshtrinë e luftimit!

4 Secili do të pushojë nën hardhinë e vet,

nën hijen e fikut të vet:

askush nuk do t’u shtjerë më frikë,

sepse kështu ka thënë goja e Zotit të Ushtrive.

5 Sepse të gjithë popujt ecin,

secili në emër të zotit të vet,

kurse ne ecim në emër të Zotit,

Hyjit tonë tani e përgjithmonë e jetës!

Mbledhja në Sion e grigjës së shpërndarë

“Po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑

do t’u bashkoj çalamanët,

edhe atë që e dëbova, do ta sjell,

po edhe atë që e ndëshkova.

7 Me grigjë tani të çalë do të përftoj Tepricën,

popull të fortë me atë që hoq aq keq!”

Përmbi ta do të sundojë Zoti në Malin Sion

tani e përgjithmonë e jetës!

E ti, o Kulla e Grigjës,

ti, Kodra e Bijës së Sionit,

te ti do të vijë, do të arrijë

pavarësia e dikurshme,

mbretëria e bi’së së Jerusalemit.

Rrethimi, mërgimi e çlirimi i Sionit

Përse tani lëshon klithma të mëdha?

Pse, a mbret në ty nuk ka,

a mbaroi këshilltari yt,

që të pushtoi dhembja

si dhembjet e lindëses?

10 Vuaj e mundohu porsi ajo që lind,

Bija e Sionit,

se të duhet ta lëshosh qytetin

e të qëndrosh në fushë të larë,

duhet të shkosh në Babilon!

Atje do të fitosh çlirimin,

atje Zoti do të të shpërblejë

prej dorës së armiqve të tu.

Popujt e fshirë në lëmë

E tani, shumë kombe

janë bashkuar kundër teje.

Ato thonë: “Të përdhunohet,

mbi Sionin të kënaqet syri ynë!”

12 Por ata s’janë në gjendje të njohin

sendërgjimet e Tenzot,

s’e kuptuan këshillin e tij

se i bashkoi si duaj në lëmë!

13 Çohu e shij, Bija e Sionit,

brirët e tu do t’i bëj të hekurt,

thundrat e tua prej tumbakut:

do të shtypësh popuj të panumërt!

Prenë e tyre do t’ia kushtosh Zotit,

kamjen e tyre Zotit të mbarë tokës!

Poshtërim e lavdi e dinastisë së Davidit

Tani gërvishtu, o bija e vragës!

Sepse të ngujuar jemi në rrethim;

me thupër mollëzën godisin

të gjykatësit të Izraelit.

Mikea: 5. E ti, o Betlehem Efratë,

5

E ti, o Betlehem ‑ Efratë,

i vogël ndër qytetet princërore të Judës,

prej teje do të më dalë

ai që do ta sundojë Izraelin.

Zanafilla e tij prej kohëve të hershme,

prej ditëve të amshimit.

2 Prandaj Hyji do t’i dorëzojë

derisa të lindë

ajo që ka për të lindur.

Atëherë Teprica e vëllezërve të tij

do të kthehet ndër bijtë e Izraelit.

3 Ai do të ngrihet,

do të udhëheqë me fuqinë e Zotit,

me madhërinë e emrit të Zotit

Hyjit të vet.

Do të banojnë në qetësi,

sepse Ai do të jetë i madh

skaj më skaj të vendit:

e Ai ‑ ai vetë do të jetë paqja!

Ngadhënjyesi i ardhshëm i Asyrit

Asyri, nëse do të hyjë në tokën tonë,

nëse do të shkelë në shtëpitë tona,

kundër tij do të ngrisim ngrejmë shtatë barinj

e tetë krerë të popullit.

5 Do ta sundojnë me shpatë dheun e Asyrit

e me heshta tokën e Nemrodit.

Ai do të na shpëtojë nga Asyri,

kur të vijë në vendin tonë,

nëse i shkel kufijtë tanë.

Roli i ardhshëm i Tepricës ndër kombe

Atëherë do të jetë Teprica e Jakobit

në mes të popujve të panumërt

porsi vesa që vjen prej Zotit,

porsi shiu që bie mbi bar,

që asgjë s’pret prej njeriut,

s’shpreson gjë prej bijve të njerëzve.

7 Atëherë do të jetë Teprica e Jakobit,

në mes të popujve të panumërt,

si luani mes kafshëve të pyllit,

si luanthi mes grigjave të deleve,

që, kur bie, shkel e kap,

s’gjendet ai që mund të shpëtojë.

Zoti do t’i zhdukë të gjitha tundimet

Do të lartësohet dora jote

përmbi armiqtë e tu

e do të zhduken

të gjithë kundërshtarët e tu.

Ja, se çfarë do të ndodhë atë ditë

‑ është fjala e Zotit ‑

Do t’i heq prej mesit tënd kuajt e tu,

do t’i shpërndaj karrocat e tua,

10 do t’i shkatërroj qytetet e vendit tënd,

do t’i rrafshoj kalatë e tua!

11 Do t’i heq prej dorës shortitë,

nuk do të ketë më në ty shortarë.

12 Do të bëj të zhduken gdhendjet e tua

gurngulurit nga mesi yt:

nuk ke më për të adhuruar

veprat e duarve të tua!

Do t’i shkul banirët e tu

do t’i thërmoj idhujt e tu.

14 Me zemërim e me furi

do t’u hakmerrem të gjitha kombeve

që nuk dëgjuan!”

Mikea: 6. Zoti gjykon popullin e vet

6

1 Dëgjoni se çfarë thotë Zoti:

“Në këmbë! Mbrohu në gjyq përpara Maleve

edhe Kodrat le të ta dëgjojnë zërin!”

2 Dëgjojeni, Male, gjykimin e Zotit,

vini vesh, themelet e tokës,

sepse Zoti me popull të vet po gjykohet,

Izraelin Ai po e padit:

3 “Çka të kam bërë, populli im?

E me çka ty ta mërzita?

M’u përgjigj!

4 Të nxora nga dheu i Egjiptit,

të shpëtova prej shtëpisë së skllavërisë,

para teje çova Moisiun,

Aronin edhe Marinë!

5 Populli im, të të bjerë në mend, të lutem,

ç’synoi Balaku, mbreti i Moabit?

Ç’gjegje i dha Balaam Beori?

Nga Setimi deri në Galgalë

për t’i njohur veprat e drejta të Zotit.”

6 “Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit

kur bie në gjunj para të Tejetlartit Hyj?

T’i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi

ose viça që e mbushën vitin?

7 A thua Zotit do t’i pëlqejnë?

mijëra deshë

e përrenj vaji me miliarda?

T’i kushtoj, thua, të parëlindurin

si shpërblim për fajin tim,

frytin e kraharorit tim

për mëkat që bëra?”

8 “T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri,

e çka Zoti kërkon prej teje:

s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë,

të duash mirësinë,

të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!”

Kundër mashtruesve në qytet

Zëri i Zotit përhapet qytetit

‑ është urti të druhet emri yt ‑ :

“Dëgjoni, fis e kuvendi i qytetit!

10 A mund ta duroj batin e rremë,

efin e zvogëluar, të mallkuarin?

11 Mund t’i shfajësoj peshoret e rreme,

qeset e peshave mashtruese?

12 Plot paudhësi janë të pasurit e qytetit,

sa herë flasin, banorët e tij rrejnë

gjuhë gënjeshtare kanë në gojën e tyre.

13 Prandaj zura të të godas,

të të shkretoj për mëkate të tua!

14 Do të hash, por nuk do të ngihesh,

gjendja jote e mjerë në ty do të mbesë.

Do të ndash mbanash mënjanë, por s’do të shpëtosh gjë,

po edhe nëse do të shpëtosh gjë,

do t’ia fal shpatës.

15 Do të mbjellësh e s’do të korrësh,

do të shtrydhësh ullinj e me vaj s’do të lyhesh,

do të shtrydhësh rrush e verë s’do pish.

Shembulli i Samarisë

16 I mban urdhërat e Omriut,

të gjitha veprat e shtëpisë së Akabit,

sillesh sipas parimeve të tyre

që unë të bëj në ty një emnesë,

banorët e tu shenjë përqeshjeje:

do ta mbartni poshtërimin e popujve.”

Mikea: 7. Padrejtësi e gjithmbarshme

7

Vaj për mua se jam bërë

si kallëzmbledhësi përmbas korrjes,

si kokrrambledhësi pas vjeljes së vreshtit!

S’gjej një vile për ta ngrënë,

as fik të lashtë që e dëshiroj!

2 Njeriu i mirë, u zhduk nga vendi,

njeri të drejtë më ndër njerëz s’ka!

Të gjithë vënë prita gjak për të derdhur,

vëllai vëllanë me rrjetë e gjuan!

3 Për të bërë keq duart i kanë gati:

princi kërkesat i shton,

gjykon gjykatësi sipas dhuratës,

vetë shkruan e vetë vulos i madhi:

vaj për ta që e shtrembërojnë të drejtën!

4 Më i miri ndër ta është ferrë,

më i drejti si ferrëkuqja.

Erdhi dita e rojeve të tua,

ndëshkimi yt:

tani është poshtërimi i tyre!

Mos kini në mikun besim,

në të afërmin shpresë mos kini;

para asaj që të fle në gji

ruaju se e hap gojën!

6 Sepse biri të atin e shan,

bija çohet kundër s’ëmës,

reja çohet kundër vjehrrit:

armiqtë e njeriut

shtëpiakët e tij!

7 Kurse unë sytë i drejtoj te Zoti,

shpresoj në Hyjin Shëlbuesin tim;

Hyji im do të ma dëgjojë lutjen!

IV. SHPRESAT

Sioni nën të sharat e armikes

Mos m’u kënaq, armikja ime,

pse jam rrëzuar, prapë do të çohem,

ndërsa ende rri në errësirë,

Zoti është drita ime!

9 Do ta duroj zem’rimin e Zotit

sepse kam mëkatuar kundër tij

deri të gjykojë çështjen time

e të më japë të drejtën.

E di se do të më nxjerrë në dritë,

do ta shoh drejtësinë e tij!

10 Kur të më shohë armikja ime,

turpi atë do ta mbulojë,

atë që për mua thotë:

‘Ku është Zoti Hyji yt?’

Sytë e mi do të kënaqen në të.

Sepse ajo do të shqelmohet

si shqelmohet balta rrugës!

Profeci për ripërtëritje

11 Po vijnë ditët

të rindërtohen muret e tua;

kufijtë e tu atë ditë do të zgjerohen!

12 Po atë ditë te ti do të vijnë

prej Asyrisë deri në Egjipt,

prej Egjiptit deri në Lumë,

prej detit e deri në det,

prej malit e deri në mal!

13 Toka në shkretëtirë do të kthehet

për shkak të banorëve të vet,

si rrjedhojë e veprave të tyre.

Lutja kundër popujve

14 Kullote popullin tënd nën kërrabën tënde,

grigjën e trashëgimit tënd,

banorët e vetmuar pyjeve,

në mes të kopshteve.

Kullotshin Basan e Galaad

si dikur!

15 Porsi në ditët e daljes sate nga Egjipti,

na dëfto vepra të mrekullueshme!

16 Do të shohin popujt

e do të mbesin të turpëruar

sa të pushtetshme që të jenë,

gojës së vet do t’ia vënë dorën,

veshët do t’u shurdhojnë.

17 Do të lëpijnë pluhurin porsi gjarpri,

porsi zvarranikët e tokës.

Duke u dridhur do të dalin nga shtëpitë e veta

‑ drejt Zotit Hyjit tonë ‑

do të të druajnë e prej teje do të tremben.

Lutje e thekshme për falje

18 Cili Hyj është porsi ti

që shlyen fajin,

që fal mëkatin

Tepricës së trashëgimit tënd,

që hidhërim s’mban për gjithmonë

pse kënaqet kur mund të përdëllejë?!

19 Do të kthehet, do të na përdëllejë,

fajësitë tona do t’i shkelë,

do t’i flakë në fund të detit

të gjitha mëkatet tona.

20 Do t’ia dhurosh besën Jakobit

e Abrahamit hirin tënd

si iu përbetove etërve tanë

që prej ditëve moti të kaluara!