Libri i Siracidit - Pasqyrë e besnikërisë së hebreut Emërtimi - Në tekstin greqisht ky libër emërtohet: Urtia e Sirakut. Vetë autori në fund të librit thotë se është: “Ben Sira”, i biri i Siracidit. Emërtimi latinisht i Vg: “Ecclesiasticus /liber/” duket se do të thotë: “Libri i Kishës - i Bashkësisë”, sepse, pas gjase është çmuar si “doracak” në bashkësi për edukimin moral të katekumenëve. Ndoshta do të mund ta quanim: Bashkësiari. Titullimi latinisht duket se arrin te shën Cipriani. Pasi biblistët e kohës, shumica më e madhe, e emërtojnë: Siracidi, mendoj se edhe ne s’po largohemi nëse po e quajmë kështu. S’do të ishte keq të quhej edhe Ekleziastiku. Autori dhe koha e krijimit - Autori na e tregon emrin e vet dhe nuk fshihet nën pseudonim porsi shkrimtarët e tjerë të librave të Urtisë. Libri qe shkruar hebraisht nga Ben Sira dhe duhet ta ketë shkruar në vitin 190 para Krishtit. Greqisht e përktheu i nipi për bashkësinë e hebrenjve në Aleksandrinë e Egjiptit në të 38-tin vit të mbretërimit të Euergenetit II, domethënë në vitin 132 para Krishtit. Autori është njeri i ditur, shumë i përshpirtshëm. Ka për qëllim të bëjë çmos për ta ruajtur identitetin fetar e kombëtar të izraelitëve që aso kohe ua kishin hapur derën dy kapakësh rrymave të reja të kulturës joshëse të paganizmit dhe të këndit të shikimit pagan në të gjitha fushat e jetës. Përmbajtja e ndarja e librit - Libri flet për çështje më të ndryshme të jetës së njeriut e të sjelljes së mirë të izraelasit dhe dëshiron të japë pasqyrën e jetës së besimtarit besnik të Izraelit. Në fillim jep një mësim të shkurtër mbi urtinë që subjektivisht përkon me frikën e Zotit e objektivisht është mbajtja e Ligjit të Moisiut. Ndahet zakonisht në dy pjesë. Pjesa e parë 2, 1 - 42, 14 - porosi për jetë të përshpirtëshme, qortime besnikërie, rregulla jetësore për të rinj, për të rritur, për pleq, për fëmijë, për prindër etj. etj. ; Pjesa e dytë 42, 15 - 50, 29 - ku më tepër shtjellon teologjinë “e historisë së shëlbimit”. Fillon me krijimin dhe vazhdon me ruajtjen, rritjen e kujdesin e Hyjit për popullin e Izraelit. Ai nuk ndalet në histori si të tillë, por, me anë të personave të shquar të Izraelit, paraqet se si, në saje të urtisë, të tillët ia arritën shenjtërisë. Ndër njerëzit e tij të mëdhenj vend të rëndësishëm zënë priftërinjtë, sepse Aroni e Fineesi kanë vend të veçantë në librin që e përfundon me lavdërimin e Simonit, kryepriftit të kohës së tij. Shtesat - Lutja e falënderimit 51, 1-17; Kënga përfunduese 51, 18-38. Siracidi është përfaqësuesi i fundit i të urtëve të BV në Palestinë. Është përfaqësuesi më i shquar i “hasidim-ve- të përshpirtshmëve” të Izraelit, që, pas pak kohe, me gjak do ta mbrojnë besimin e vet kundër salvuesit, Antiokut Epifan. Libër kanonik - Libri i shkruar hebraisht ka humbur. Shën Jeronimi e ka pasur tekstin hebraisht. Tanivonë u gjetën në Kairo e në Kumran tri të pestat e librit. Vg e ka marrë përkthimin latinisht megjithëse shën Jeronimi nuk e ka përmirësuar. Megjithëse ky libër nuk figuron në kanonin e Biblës hebraike, librin e citojnë shpesh rabinët. Letra e Jakobit frymëzohet nga ky libër dhe Mateu, në Ungjillin e vet, e ka parasysh. Kisha e pranon për libër të frymëzuar kanonik dhe e përdor shumë në liturgji. Për ditët tona - Për arsye të shtjellimit të kënaqshëm dhe për shijen e matur të mendimit, për shkak të shpjegimit me besnikëri të zbatimit të Ligjit, për vështrim të lartë të mendimeve të pranisë të Hyjit në histori, për nderim që i jep kultit hyjnor, Siracidi na vizaton shkrolcin e mençur që kthehet e bëhet nxënës i Krishtit, i cili di të nxjerrë të reja e të vjetra nga visari i vet /Krhs Mt 13, 52/. Se sa i rëndsishëm është edhe për ditët tona na e vërteton edhe përdorimi i begatshëm në liturgji: mëson të ruajmë lirinë e vërtetë përballë joshjeve të kohës. PARATHËNIA E PËRKTHYESIT 1 Pasi me anë të Ligjit e të Profetëve dhe të shkrimtarëve të tjerë, që i ndoqën ata, na qenë dhuruar mësime të shumta e të mëdha, për të cilat është e detyrueshme të lavdërohet Izraeli për kah mësimi dhe urtia e, pasi lexuesit s’duhet të kënaqen vetëm për t’u bërë ata të ditur vetëm për vete, 5 por se edhe për të tjerët të huaj, njerëzit e ditur duhet të jenë të dobishëm me fjalë e me shkrime, Jezusi, im gjysh, pasi iu kushtua për kohë të gjatë leximit të Ligjit, të Profetëve 10 dhe të Librave të tjerë që na i lanë trashëgim të parët, pasi ia arriti dijes së mjaftueshme në ta, iu vu edhe ai të shkruajë diçka lidhur me mësimin e me dijen që, ata që dëshirojnë të mësojnë, me përvetësimin e kësaj urtie përherë e më fort të përparojnë në sjellje të jetës siç e kërkon Ligji. 15 Jeni, prandaj, të ftuar t’i afroheni leximit me mirësi e me kujdes të vëmendshëm e të na falni 20 nëse, me gjithë kujdesimin që përdorëm në përkthim, nuk ia kemi dalë ta japim fuqinë e disa shprehjeve; thëniet hebraike të përkthyera në një gjuhë tjetër e humbin fuqinë e origjinalit. Madje, jo vetëm kjo vepër, por edhe vetë Ligji, Profetët 25 e librat e tjerë, kanë dallim jo të vogël, kur lexohen në origjinal. Kur, në të tridhjetë e tetin vit të sundimit të mbretit Ptolome Euergjet, pasi erdha në Egjipt e pasi ndenja aty për një kohë të gjatë, gjeta atje një vepër me mësim jo të vogël e jo të parëndësi. 30 Këndej edhe vetë e mendova punë të mirë e të domosdoshme të kushtoj kujdes e mund për ta përkthyer këtë libër. Pasi i kushtova shumë përgjime e kujdes gjatë asaj kohe e kreva këtë punë edhe e botova librin, për dobi, sidomos të atyre që në dheun e huaj, dëshirojnë dijen 35 e duan t’i përshtasin zakonet e veta në përkim me Ligjin. I. PËRMBLEDHJE FJALËSH TË URTA Prejardhja e urtisë 1 1 Çdo urti vjen prej Zotit Hyj, tek ai ka qenë gjithmonë dhe është pranë tij gjithherë. 2 Rërën e detit e pikat e shiut dhe ditët e amshimit, kush mund t’i numërojë? Lartësinë e qiellit, gjerësinë e tokës e thellësinë e humnerës, kush mund ta masë? 3 Dijen e Hyjit, që është para të gjithave, kush mund ta shqyrtojë? 4 Para të gjitha gjërave qe krijuar urtia dhe mençuria e urtë është prej amshimit. 5 Burimi i urtisë fjala e Hyjit në qiell të larta, udhët e saja urdhërimet e amshueshme. 6 Rrënja e urtisë kujt i qe zbuluar? Synimet e fshehta të saja kush i ka njohur? 7 Dija e urtisë kujt i qe zbuluar e dëftuar? Aftësinë e shumëfishtë të saj kush e ka kuptuar? 8 Një i vetëm është i Tejetlarti, Krijues i gjithëpushtetshëm, mbret i gjithfuqishëm, pa masë për t’u druajtur, që rri mbi fronin e vet Zotërues, Hyji. 9 Ai e krijoi në shpirt të shenjtë: pa, e numëroi dhe e mati. 10 Ai e zbrazi mbi të gjitha veprat e veta, mbi çdo vdekatar sipas bujarisë së vet dhe ua shpërndau atyre që e duan. Frika e Tenzot 11 Frika e Tenzot është lavdi e mburrje, gëzim dhe kurora e galdimit. 12 Frika e Tenzot kënaq zemrën, jep gëzim e hare dhe jetë të gjatë. 13 Ai që e druan Zotin, mbarimin do ta ketë të mirë, do të bekohet ditën e vdekjes së tij. 14 Dashuria e Hyjit urti e nderueshme, 15 atyre do t’u dëftohet, do t’u dhurojë në pamjen e vet dhe në njohjen e veprave të mrekullueshme të vetat. 16 Fillimi i urtisë frika e Zotit; për besimtarët qe krijuar bashkë me ta në kraharorin e nënës, që prej amshimit qe themeluar me njerëzit e të vërtetës dhe vetveten ia beson farës së tyre. 17 Frika e Zotit është plotësia e urtisë; 18 përkushtia e ruan dhe e shfajëson zemrën, ajo e dhuron kënaqësinë dhe gëzimin. /19/ 20 Kulmi i urtisë është ta druash Hyjin, ajo i mbush të vetët me frytet e veta. 21 Çdo shtëpi të tij e mbush me dhurata të çmueshme, qilarët me visaret e tija. 22 Keza e urtisë frika e Zotit, lulëzon paqen dhe frytin e shpëtimit: 23 të dyja janë dhurata të Hyjit. 24 Urtia e rigon si shiun dijen e kuptimin e mençurisë dhe e lartëson lavdinë e atyre që e kanë. 25 Rrënja e urtisë është ta kesh frikë Zotin, gemat e saj janë jetëgjatë. 26 Në thesaret e dijes është mendja e përkushtia e urtisë, kurse për mëkatarë urtia është mallkim. 27 Frika e Zotit e dëbon mëkatin; kur frika është pranë largon çdo zemërim. Durimi dhe mbizotërimi i vetvetes E njëmend, kush s’e ka frikën, s’mundet të shfajësohet, sepse zemërimi i zemres së fryrë të tij do të jetë rënia e tij. 29 Për pak kohë duron i durueshmi e pastaj ia mbërrin kënaqësia. 30 Mençuria e tij për kohë të caktuar i ruan fjalët e tija dhe goja e të shumëve do të flasë për maturinë e tij. 28 Urtia dhe drejtësia 31 Në thesare të urtisë janë shëmbëlltyrat e dijes, ndërsa nderimi i Hyjit është i urryeshëm për mëkatarin. 33 Bir, nëse e dëshiron urtinë, ruaje drejtësinë, dhe Hyji do ta dhurojë atë. 34 Sepse frika e Zotit është urti e mësim dhe Atij i pëlqen 35 besnikëria e butësia. 36 Mos ji njeri që s’i beson frikës së Zotit dhe mos dil para Tij me zemër të dyfishtë. 37 Mos ji shtiracak para syve të njerëzve, dhe ki kujdes buzët e tua. 38 Mos e lartëso vetveten që të mos rrëzohesh e t’i sillësh vetvetes çnderim, 39 sepse Zoti do t’i zbulojë të këqijat e tua të fshehta dhe do të të përulë para mbarë bashkësisë, 40 sepse dijekeqas i je afruar frikës së Zotit dhe zemrën e ke plot dredhi e gënjeshtra. 32 Frika e Zotit në provë 2 1 Bir, nëse do t’i shërbesh Hyjit, qëndro në drejtësi e në frikë dhe përgatite shpirtin tënd për tundim. 2 Drejtoje mirë shpritin tënd dhe ji i qëndrueshëm, prire veshin dhe pranoji fjalët e dijes dhe mos u habit në kohën e vështirësisë. 3 Duroji provat që vijnë prej Hyjit, qëndro i lidhur me Hyjin e mos u ligështo, që të bëhesh i urtë në jetën tënde. 4 Prano gjithçka të të ndodhë, pranoje e duroje në dhimbje, ki duresë në përvujtërimin tënd, 5 sepse në zjarr sprovohet ari e argjendi, po ashtu edhe të zgjedhurit në furrën e përvujtërimit. 6 Besoji Hyjit dhe ai do të gjendet në ndihmë, shpreso në të dhe ai do ta drejtojë jetën tënde, ruaje frikën e tij dhe në të plaku. 7 Ju që e druani Zotin, shpresoni në mëshirën e tij, dhe mos u largoni prej tij që të mos rrëzoheni. 8 Ju që e keni frikë Zotin, besoni atij, dhe s’do t’ju humbasë shpërblimi. 9 Ju që e druani Zotin, shpresoni në të mirën, në gëzimin e amshueshëm e në mëshirë. 10 Ju që e druani Zotin, duajeni atë, dhe do të ndriçojnë zemrat tuaja. 11 Vëreni, o bij, breznitë e moçme e shikoni: kush shpresoi në Zotin dhe mbeti i turpëruar? 12 Ose cili qëndroi në urdhërimet e tija e qe lënë pas dore? Kush e thirri Atë dhe Ai e përbuzi? 13 Sepse Zoti është i dhimbshëm e i mëshirshëm, i fal në ditën e vështirë mëkatet dhe i mbron të gjithë ata që e kërkojnë me të vërtetë. 14 Vaj për njeriun me dy faqe, me buzë gënjeshtare, që rri me duar në ijë, dhe për mëkatarin që hyn në tokë nëpër dy rrugë! 15 Vaj për ata që i ka lëshuar zemra e nuk besojnë, për këtë arsye nuk do gjejnë mbrojtje. 16 Vaj për ju që e humbët qëndresën, që i latë udhët e drejta e morët udhët e këqija! 17 Çfarë do të bëni kur Zoti të nisë të kërkojë llogari? 18 Ata që e druan Zotin, s’do t’i jenë të pabesueshëm fjalës së tij; ata që e duan, do ta ruajnë udhën e tij. 19 Ata që e druajnë Zotin, kërkojnë çka i pëlqen Atij; ata që e duan, do të kënaqen në Ligjin e tij. 20 Ata që e druajnë Zotin, gati i bëjnë zemrat e veta, dhe para Tij do t’i shënjtërojnë shpirtrat e vet. 21 Ata që e druajnë Zotin, i ruajnë urdhërimet e tija, do të jenë të durueshëm deri në shqyrtimin e tij 22 dhe thonë: “Nëse nuk do të bëjmë pendesë, do të biem në duar të Zotit e jo në duar të njerëzve, 23 sepse sikurse është madhëria e Zotit, ashtu është edhe mëshira e tij”. Detyrat ndaj prindërve 3 1 Bashkësi e të drejtëve janë bijtë e urtisë, dëgjesa e dashuria janë kombi i tyre. 2 Dëgjojeni, o bij, mësimin e babait dhe ashtu veproni që të shëlboheni. 3 Sepse Hyji e nderon babain në fëmijë dhe e ka përforcuar të drejtën e nënës mbi fëmijë. 4 Kush e nderon babain, i shpërblen mëkatet, ruhet prej tyre dhe do t’i dëgjohet lutja kur e thotë. 5 Ai që e nderon nënën, është porsi ai që grumbullon visare. 6 Kush e nderon babain e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim, dhe kur të lutet, lutja do t’i dëgjohet. 7 Kush e nderon babain e vet, do të ketë jetë të gjatë, kush e dëgjon babain, ngushëllim do t’i sjellë nënës. 8 Kush e druan Zotin, i nderon prindërit, prindërve u shërben porsi zotërinjve. 9 Me vepra e me fjalë nderoje babain tënd, 10 që të zbresë mbi ty bekimi i tij. 11 Bekimi i babait i bën të forta shtëpitë e fëmijëve, kurse mallkimi i nënës ua rrënon themelet. 12 Mos u mburr me çnderimin e babait tënd, sepse turpi i tij nuk është lavdi për ty. 13 Lavdia e njeriut varet nga nderi i babait të tij, nëna e panderë është turpi i të birit. 14 Biro, kije kujdes babain e plakur, dhe mos e shqetëso gjat jetës së tij. 15 Po edhe nëse dobësohet nga mendja, ji i butë me të, dhe mos e përbuz asnjëherë në jetën e tij. Sepse ndihma e dhënë babait kurrë nuk do të harrohet, 16 sepse do të mbillet për shlyerje të mëkateve 17 e do të rritet për drejtësinë tënde, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, si dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. 18 Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babain, i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën. Përvujtëria 19 Bir, kryej veprat e tua me thjeshtësi e do të duhesh më tepër se njeriu që ndan dhurata. 20 Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret. 21 Sepse i madh është vetëm pushteti i Hyjit dhe e nderojnë të përvuajturit. 22 Mos i kërko gjërat që janë më të larta se ti as mos i shqyrto ato që i tejkalojnë fuqitë e tua, por mendoji gjithmonë ato që t’i ka urdhëruar Hyji dhe në veprat e tija të shumta mos ji kureshtar. 23 Sepse s’është e domosdoshme për ty t’i shohësh me sy të tu ato që janë të fshehta. 24 Mos u merr për së tëpërmi me gjëra të kota, 25 sepse të janë dëftuar shumë gjëra që i tejkalojnë aftësitë e mendjes së njeriut. 26 Sepse shumë i bëri të gabojnë hamendja e vet dhe pamja e kotë i gënjeu shqisat e tyre. Pa bebe të syrit dritë nuk ka, ku s’ka dije s’ka as urti. Madhështia 27 Kryeneçi përfundon në të keqe, kush e do rrezikun, në të do të mbarojë. 28 Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses, zemërkeqi në to do të rrëzohet. 29 Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari do të shtojë mëkat mbi mëkat. 30 S’ka shërim për plagët e krenarëve, sepse pema e mëkatit ka lëshuar rrënjë në ta e nuk mund të kuptohet. 31 Zemra e të urtit i merr vesh fjalët e të urtëve, veshi që dëgjon e dëshiron urtinë. 32 Zemra e urtë dhe e kuptueshme ruhet nga mëkati dhe do të ketë sukses në veprat e drejtësisë. Veprat e mëshirës ndaj skamnorëve 33 Zjarrin e ndezur uji e fik: kështu i shpërblen mëkatet lëmosha. 34 Hyji e sheh atë që bën vepra mëshire, në fund i bie ndër mend për të e, në kohën e rënies së tij, do të gjejë mbështetje të fortë. 4 1 Bir, mos ia moho lëmoshën skamnorit dhe sytë e tu mos ik nga i vobekti. 2 Mos e trishto atë që ka uri dhe mos e ngacmo skamnorin në skamjen e tij. 3 Mos e mundo zemrën e skamnorit, mos vono t’ia japësh ndihmën atij që është ngusht. 4 Mos e përbuz lutjen e nevojtarit, e mos e largo fytyrën prej skamnorit. 5 Mos i largo sytë e tu prej skamnorit për shkak të hidhërimit, mos i lër vend të mallkojë përmbas, 6 sepse në të mallkoftë ndokush me shpirt të helmuar, lutja e tij do të dëgjohet: do ta dëgjojë Ai që e ka krijuar. 7 Bëju të duhesh prej bashkësisë, para plakut përule vetveten e para sundimtarit përule kokën tënde. 8 Prirja skamnorit veshin tënd pa u trishtuar, ktheja përshëndetjen që ia ke për detyrë dhe u përgjigj me fjalë të mira e me butësi. 9 Shpëtoje prej kthetrave të ndrydhësit atë që pëson padrejtësi e mos ji kukulosh kur të gjykosh. 10 Ji për jetimë i mëshirshëm si babë dhe ji mbrojtës për nënën e tyre, 11 e do të jesh porsi biri i të Tejetlartit i dëgjueshëm, dhe Ai do të ketë mëshirë për ty më tepër se nëna. Urtia edukatore 12 Urtia bijve të vet u dha jetën dhe i kujdeson ata që e kërkojnë. 13 Kush e do atë, e do jetën, ata që çohen heret për të do të mbushen me paqe prej Zotit. 14 Kush e bën të veten atë, do të trashëgojë nderin e, ngado të shkojë, Zoti do ta bekojë. 15 Ata që i shërbejnë, nderojnë Shenjtin, e ata që e duan atë, Hyji do t’i dojë. 16 Kush e dëgjon atë do t’i gjykojë popujt e kush ia vë veshin asaj, do të jetë i sigurt. 17 Kush i beson asaj, do ta ketë pronë e do të mbetet pronë e breznive të tija. 18 Sepse bën sikur ecën me të e në fillim e vë në provë, 19 i shtie frikë e tmerr dhe e vë në provë me mësimin e vet deri sa ai e bën të veten me mendimin e vet e pastaj ia arrin të ketë besim në shpirtin e tij. 20 Atëherë vjen drejt tij dhe e përforcon dhe i jep gëzim 21 e ia zbulon fshehtësitë e veta, grumbullon mbi të urtinë e dijen e drejtësisë. 22 Nëse e lë rrugën edhe ajo heq dorë prej tij dhe e lëshon në dorë të armikut të vet. Turpi dhe respekti njerëzor 23 Bir, kujdes rrethanave e ruaju prej së keqes, e mos të vijë turp për vetveten. 25 Sepse ka turp që sjell mëkat e ka edhe turp që sjell nder e hir. 24 26 Mos i mbaj kujt krah kundër vetvetes as mos prano gënjeshtër kundër vetvetes. 27 Mos e mbulo me turp të afërmin në rënien e tij 28 as mos e ndal fjalën në rastin e duhur: mos e fsheh urtinë tënde për nder të rremë. 29 Sepse me anë të fjalës njihet urtia e në përgjigje të gjuhës dija. 30 Në asnjë mënyrë mos i kundërshto fjalës së vërtetë, por të vijë turp për padijen tënde. 31 Mos të vijë turp t’i pranosh fajet e tua dhe askujt mos iu nënshtro për të mëkatuar. 32 Mos shiko t’i qëndrosh pushtetmadhit e mos u mundo të notosh kundër rrjedhës së lumit. 33 Deri në vdekje lufto për të vërtetën dhe Hyji do të luftojë për ty kundër armiqve të tu. 34 Mos ji fjalëmadh me gjuhën tënde e frikacak e i mefshtë në veprim. 35 Mos ji luan në shtëpinë tënde përplasës i shtëpiakëve të tu e ndrydhës i të nënshtruarve të tu. 36 Të mos jetë dora jote e shtrirë për të marrë dhe e mbledhur për të dhuruar. Pasuria e guximi i pavend 5 1 Mos u mbështet mbi pasurinë tënde e ruaj se thua: “Kam sa më duhet për jetë!” 2 Mos e ndiq fuqinë tënde për të ecur në dëshirime të zemrës sate 3 e ruaj se thua: “Çka ka kush të më bëjë?” ose: “Kush do të më nënshtrojë për çka kam bërë?”, sepse Hyji hakmarrës do të hakmerret! 4 Ruaj se thua: “Kam mëkatuar, e ç’e keqe më ndodhi?”, sepse i Tejetlarti është kthyes i durueshëm. 5 Për mëkatin e falur mos ji pa frikë dhe mos shto mëkat mbi mëkat 6 e ruaj se thua: “Mëshira e Zotit është e madhe, do të ketë dhimbje për mëkatet e mia të shumta”; 7 sepse mëshira dhe hidhërimi afrohen shpejt prej tij e mbi mëkatarë pushon hidhërimi i tij. 8 Mos vono të kthehesh te Zoti dhe mos shtyj prej ditës në ditë. 9 Sepse papritmas vjen zemërimi i tij e do të zhdukesh ditën e hakmarrjes. 10 Mos u mbështet në pasurinë e padrejtë, sepse asgjë s’do të ndihmojë ditën e mjerimit. Qëndresa e sundimi i vetvetes 11 Mos u sill sipas secilës erë e mos ec secilit shteg: sepse kështu vihet në provë çdo mëkatar me gjuhë të dyfishtë. 12 Të jesh i ngulur në mendimin tënd, por edhe mendimi yt të jetë në të vërtetë, në urti dhe do të përcjellë fjala e paqes dhe e drejtësisë. 13 Ji i shpejtë për të dëgjuar fjalën që ta kuptosh e me ngadalësi ktheje përgjigjen. 14 Nëse di, përgjigjiu të afërmit tënd, përndryshe, vërja dorën gojës sate që të mos dalësh i padijshëm e të turpërohesh. 15 Fjala sjell nder e çnderim, gjuha e njeriut është rrënimi i tij. 16 Mos bëj të meritosh të quhesh shpifës, kurrë me gjuhën tënde mos i mbet kujt në qafë! 17 Turpi s’i hiqet kurrë vjedhësit, në shenjë për të keq mbahet njeriu dygjuhës, kurse shpifësit s’i ndahet kurrë urrejtja as armiqësia as çnderimi. 6 1 Mos bëj keq as pak as shumë e mos u bëj për mikun armik. Sepse do të trashëgosh emër të keq, poshtërim dhe përbuzje; kështu i ndodh çdo mëkatari ziliqar e dygjuhës. 2 Mos ia rrit mendjen vetes porsi mëzati që rastësisht marrëzira të mos ta këpusë fuqinë, 3 të hahen gjethet e tu e të hidhen frutat e tua e të mbetësh porsi druri i thatë në shkretëtirë. 4 Nepsi i keq e rrënon atë që e ka, e bën gazin e armiqve të tij dhe e shpie në fatin e të paudhëve. Miqësia 5 Goja e ëmbël i shton miqtë e i zbut armiqtë, gjuha e njerëzishme sjell përshëndetje. 6 Ki shumë nga ata që jetojnë në paqe me ty, por prej një mijëve një kije këshilltar. 7 Nëse do të fitosh ndonjë mik, fitoje në provë, dhe mos i beso tepër lehtë. 8 Sepse ka mik që është i tillë kur i bie për shtat, por nuk mbetet i tillë ditën e ngushticës. 9 Sepse ka edhe mik që kthehet në armik dhe do t’i zbulojë për çnderim tënd grindjet e tua. 10 Ka edhe mik shok në tryezën tënde, por s’qëndron i tillë ditën e nevojës. 11 Sa ta kesh për së mbari do të jetë një me ty e lirisht do të sillet me shtëpiakët e tu, 12 por, nëse do të biesh poshtë, do të sillet kundër teje dhe s’do të shikojë me sy. 13 Ndahu nga armiqtë e tu e ruaju prej miqve të tu. 14 Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, gjen visar. 15 Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij. 16 Miku besnik është bar shërues jete, do ta gjejnë ata që e kanë frikë Zotin. 17 Kush e ka frikë Hyjin qëndron në miqësinë e tij, sepse siç është ai, i tillë do të jetë edhe miku i tij. Shkolla e urtisë 18 Biro, mëso që prej rinisë e deri në flokë të thinjur do ta fitosh urtinë. 19 Afrohu tek ajo si ai që lëron e mbjell e priti frytet e saja të mira. 20 Pak do të heqësh keq në lërimin e saj, por shpejt do të hash prej fryteve të saja. 21 Sa shumë e vështirë është urtia për të padijshëm e s’do të qëndrojë në të njeriu i çmendur. 22 Porsi guri i provës peshon rëndë mbi të e s’do të vonojë ta flakë larg vetes. 23 Dija njëmend është siç i thotë edhe emri dhe për shumëkënd nuk është e qartë, por, për ata që e njohin, ajo mbetet deri në praninë e Hyjit. 24 Dëgjo, o bir, e pranoje mendimin tim dhe mos e hidh poshtë këshillin tim. 25 Futi këmbët e tua në prangat e saja, qafën tënde në vargonjtë e saj, 26 ule krahun tënd dhe mbarte atë dhe mos ta mërzisin vargjet e saja. 27 Afrohu tek ajo me gjithë shpirtin tënd e me të gjitha fuqitë e tua ruaji udhët e saja. 28 Gjurmo, shqyrto e kërko dhe do ta gjesh e, kur ta kesh gjetur, më mos e lësho. 29 Në mbarim në të do ta gjesh paqen dhe do të të kthehet në gëzim. 30 Prangat e saja do të jenë për ty mbrojtje e fortë dhe vargonjtë e saj stoli e lavdishme. 31 Sepse mbi të është një stoli ari, vargjet e saj rripa pëlhure të purpurt. 32 Do ta mbartësh porsi petk kremtor dhe do ta lidhësh porsi kezë të shkëlqyer. 33 Bir, nëse do të kesh qëndresë, do të bëhesh i ditur e, nëse do të jesh i censhëm, do të bëhesh i urtë. 34 Nëse të pëlqen të dëgjosh, edhe do të mësosh dhe, nëse do t’i vësh vesh, i urtë do të bëhesh. 35 Qëndro në mbledhje të pleqve, bashkohu me gjithë zemër me urtinë e tyre, që të mund ta dëgjosh krejt tregimin e Hyjit, që kujtesës sate të mos i shpëtojë asnjë fjalë e urtë. 36 Nëse e sheh ndonjë të urtë, shko që në agim tek ai dhe shkallët e derës së tij le t’i lëmojë këmba jote. 37 Përsiati urdhërimet e Zotit dhe pa pushim kujtoji urdhrat e tij; Ai vetë do ta forcojë zemrën tënde dhe do të të dhurohet urtia që e dëshiron. Këshilla të ndryshme 7 1 Mos e bëj të keqen dhe e keqja s’do të të gjejë, 2 hiqu paudhësisë dhe ajo do të rrijë larg teje. 3 Bir, mos mbill në hulli të padrejtësisë, që të mos korrësh shtatëfish. 4 Mos ia kërko Zotit udhëheqësinë as prej mbretit ndenjësen e nderit. 5 Mos u mundo të dëftohesh i drejtë para Zotit, sepse ai i njeh mirë zemrat; as para mbretit mos u mundo të dukesh i mençur. 6 Mos kërko të bëhesh gjykatës po qe se s’ke fuqi ta zhdukësh padrejtësinë që rastësisht të mos e kesh frikë ndonjë pushtetmadh e ta vësh në rrezik drejtësinë tënde. 7 Mos gabo kundër bashkësisë së qytetit e mos e bëj veten asgjë para popullit. 8 Mos e bëj dy herë një mëkat, sepse as për të parën herë s’do të mbetesh i pandëshkuar. 9 Mos ji në lutje i paguximshëm, 10 të lutesh e të bësh lëmoshë mos përto. 11 Mos thuaj: “Hyji do të shikojë mbi dhuratat e mia të shumta e, kur t’i kushtoj Hyjit të tejetlartë, ai do t’i pranojë.” 12 Mos e përqesh njeriun që është i trishtuar në shpirt, sepse është ai që përul e lartëson, Hyji që sheh rreth e rrotull. 13 Mos trillo gënjeshtër kundër vëllait tënd as mikut mos i bëj po ashtu. 14 Në asnjë mënyrë mos e përdor gënjeshtrën, sepse përsëritja e saj nuk është e mirë. 15 Mos ji fjalëshumtë në mbledhjen e pleqve dhe mos i përsërit fjalët në lutjen tënde. 16 Mos i përbuz punët e rënda as bujqësinë e krijuar prej të Tejetlartit. 17 Mos u numëro në shumicën e mëkatarëve 18 dhe le të bjerë ndër mend hidhërimi që s’do të vonojë. 19 Përule shumë shpritin tënd, sepse zjarri e krimbat janë shpagimi i të paudhit. 20 Mos e ndërro mikun për para, as vëllanë e dashur me ar Ofiri. 21 Mos u largo nga gruaja e mençur dhe e mirë që e ke pasur fat në frikën e Zotit: sepse mirësia e saj vlen më shumë se ari. 22 Mos e merr me të keq skllavin që punon besnikërisht as mëditësin që jepet gjithsa mundet. 23 Duaje shërbëtorin e arsyeshëm porsi vetveten; mos ia moho lirinë as mos e nis duarthatë. 24 Ke bagëti? Kiji kujdes e, nëse i ke për dobi, ruaji! Fëmijët 25 A ke fëmijë? Jepu mësim e, që prej rinisë, mësoji ta ulin zverkun. 26 A ke vajza? Ruaje trupin e tyre dhe mos u trego me to për së tepërmi fytyrëbutë. 27 Martoje vajzën e ke kryer punë të madhe dhe jepja burrit të arsyeshëm. 28 Nëse e ke gruan sipas zemrës sate, mos e lësho; por, nëse s’e do, mos i beso. Prindërit Me gjithë shpirt 29 duaje babain tënd dhe mos i harro ofshamet e nënës sate. 30 Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta, e çka do t’u japësh siç të dhanë ata? Priftërinjtë 32 Me gjithë shpirt druaje Zotin dhe nderoji priftërinjtë e tij. 32 Me gjithë fuqi duaje atë që të krijoi dhe mos i braktis shërbëtorët e tij. 33 Me gjithë shpirt nderoje Hyjin e nderoji edhe priftërinjtë. 34 Jepu pjesën që u takon si të ka qenë urdhëruar: frytet e para, të shpagimit, flitë e pakujdesisë, 35 shpatullën si kusht, flinë e shenjtërimit e frytet e para të flive të shenjta. Të vobektët e të pikëlluarit 36 Ngjitja dorën edhe të vobektit që të përkryhet përkrahja jote e bekimi. 37 Ji dorëdhënë me të gjithë të gjallët, por as të vdekurit mos ia moho hirin. Mos pusho t’i ngushëllosh ata që qajnë dhe qaj me ata që qajnë. 39 Mos përto të shkosh t’i shohësh të sëmurit, sepse prej tyre do të jesh i dashur. 40 Në çdo vepër tënde mendoje mbarimin tënd dhe kurrë s’do të bësh mëkate. 38 Mençuria e maturia 8 1 Mos u grind me pushtetarin që rastësisht të mos biesh në duar të tija. 2 Mos u grind me njeri të pasur, që rastësisht të mos e vërë kundër teje peshën tënde: 3 sepse shumëkënd e ka humbur ari, paraja e prish edhe zemrën e mbretërve. 4 Mos u grind me njeri gjuhëgjatë dhe mos shto dru në zjarrin e tij. 5 Mos bëj llafe me njeri të trashë që të mos përbuzen të parët e tu. 6 Mos e përbuz njeriun që u kthye nga mëkati as mos e shaj: mos harro se të gjithë jemi fajtorë. 7 Mos e përbuz njeriun në pleqërinë e tij, sepse edhe prej nesh do të jenë nga ata që plaken. 8 Mos u gëzo për vdekjen e armikut tënd: mos harro se të gjithë do të vdesim e s’dëshirojmë që ndokush t’i gëzohet vdekjes sonë. Gojëdhëna 9 Mos i përbuz fjalët e pleqve të urtë, por përsiati fjalët e urta të tyre, 10 sepse prej tyre do të mësosh urtinë e hollësinë mendore për t’u shërbyer aftësisht të mëdhenjve. 11 Të mos të shkojnë hupës bisedat e pleqve, sepse ata i mësuan prej të parëve të vet; 12 sepse prej tyre do të mësosh mprehtësinë e mendjes dhe dhënien e përgjigjeve në kohën e duhur. Maturia 13 Mos u fryj gacave të mëkatarëve që të mos digjesh në flakën e zjarrit të mëkateve të tyre. 14 Mos u kap ballë për ballë me njeriun fyes që të mos vërë lak me fjalët e tua. 15 Mos i huazo njeriut më të fortë se ti; nëse i huazon gjë, mbaje si ta kesh humbur. 16 Mos hyr dorëzanë mbi mundësitë e tua; nëse hyn dorëzanë, mbaje veten për kthyes. 17 Mos u grind me gjykatës, sepse do të gjykojë sipas pëlqimit të vet. Mos bëj rrugë me njeriun që s’e peshon rrezikun që të mos i shtosh të vështirat e tua: sepse ai vepron sipas hamendjes së vet dhe do të sharrosh bashkë me marrinë e tij. 19 Me njeriun frymës ruaj se grindesh as mos shko me të në vend të pabanuar, sepse për të tillin s’do të thotë asgjë të derdhë gjak e, ku s’ka kush të ndihmojë, të vret. 20 Me të marrët mos u këshillo, sepse ata s’do të mund ta ruajnë fshehtësinë tënde. 21 Para të huajit mos bëj asgjë që duhet të mbetet e fshehtë, sepse nuk di se çka mund të ndodhë. 22 Mos ia zbulo gjithkujt zemrën tënde që rastësisht të mos ia humbasësh vetes të mirën. 18 Gratë 9 1 Mos ji mendezi për gruan tënde të dashur që të mos ia mësosh të keqen kundër vetvetes. 2 Mos i jep pushtet gruas mbi vetvete që të mos mbizotërojë e të turpërohesh. 3 Mos iu afro gruas tekanjoze që rastësisht të mos biesh në leqet e saja. 4 Me këngëtare mos rri as mos e dëgjo që rastësisht të mos birresh nga joshjet e saja. 5 Mos e ngul shikimin mbi ndonjë virgjër që të mos rrezohesh për shkak të stolisë së saj. 6 Mos u jep pas lavireve që të mos sharrosh vet dhe pasuria jote. 7 Mos shiko rreth e rreth udhëve të qytetit as mos u end rrugicave të fshehta të tija. 8 Largoji sytë nga gruaja e pashme dhe mos e vështro bukurinë e huaj. 9 Për shkak të bukurisë së gruas shumë sharruan dhe prej kësaj ndizet pothuajse si zjarri dëshirimi. 10 11 12 Me gruan e martuar kurrsesi mos rri, dhe bashkë me të mos u ul të pish verë, 13 që zemra jote të mos joshet nga ajo e, për shkak të epshit tënd, të mos rrëshqitësh në humbje Marrëdhëniet me njerëzit 14 Mos e lësho mikun e vjetër: sepse i riu nuk do të jetë i barabartë me të. 15 Verë e re miku i ri: kur të plaket do ta pish me kënaqësi. 16 Mos i lakmo lavdit as pasurisë së mëkatarit: sepse nuk e di se si do ta ketë mbarimin. 17 Të mos pëlqejë mirëqenia e të padrejtëve e di se s’do të mbërrijnë në Dhe të Zi të pandëshkuar. 18 Rri larg njeriut që ka pushtet të vrasë e s’do ta sprovosh frikën e vdekjes. 19 Po, nëse i afrohesh, kujdes se gabon, që rastësisht të mos ta marrë jetën. 20 Dije se i bashkohej vdekjes, sepse ecën nëpër leqe e përmbi rrjetë. 21 Sipas mundësisë sate sillu me të afërmin tënd, këshillohu me të urtë e me të matur. 22 Për bisedime kërko njerëz të arsyeshëm dhe çdo bisedë e jotja të jetë mbi urdhërimet e të Tejetlartit. 23 Ha e pi me njerëz të drejtë dhe mburrja jote le të jetë në frikën e Zotit. 24 Veprat e dorës së mjeshtrit do të lavdërohen, prijësi i popullit në urtinë e fjalës së vet e fjala e pleqve ka kuptimin e vërtetë. 25 Njeriu fjalëkeq është tmerri i qytetit, e ai që s’i hyn gjuha në gojë, bëhet i urryer. Qeverimi 10 1 Qeveritari i mirë e edukon popullin e vet e qeverimi i të arsyeshmit është i qëndrueshëm. 2 Si të jetë qeveritari, të tillë janë edhe ministrat; si të jetë kryetari i qytetit, të tillë do të jenë edhe qytetarët. 3 Mbreti i marrë e rrënon popullin e vet, qytetet përparojnë sipas urtisë së krerëve. 4 Në duart e Hyjit është pushteti mbi tokë, dhe në kohë të duhur ia ngrit sundimtarin e vyer. 5 E mbara e njeriut është në duart e Hyjit, mbi personin e ligjdhënësit e vë nderin e vet. Kundër krenarisë 6 Për asnjë fyerje të afërmit mos iu hakmerr, dhe mos bëj asnjë veprim madhështie. 7 Krenaria është e urrejtshme para Hyjit e para njerëzve, për të dy është e neveritshme çdo nëpërkëmbje. 8 Mbretëria kalon nga një popull në tjetër për shkak të padrejtësive, të dhunës e të pasurisë së padrejtë. 9 S’ka gjë më të mbrapshtë se dëshirimi i kamjes, koprraci edhe shpirtin e vet e ka për ta shitur. 10 Pse krenohet dheu e hiri? Sepse edhe për së gjalli i hedh përbrendësat e veta! 11 Sëmundja e gjatë e mërzit mjekun, sëmundja e shkurtër e kthjellon mjekun. 12 Çdo pushtet e ka të shkurtër jetën: kështu edhe mbreti sot është e nesër vdes. 13 Kur njeriu të vdesë do të trashëgojë gjarpërinj, egërsira e krimba. 14 Fillimi i krenarisë së njeriut është rënia prej Hyjit; 15 zemra e tij largohet prej Krijuesit të vet. Sepse fillimi i çdo mëkati është krenaria, kush jepet pas saj, vlon me mallkime e në fund sharron prej saj. 16 Prandaj Zoti mrekullisht i ndëshkon të këqijtë dhe krejtësisht i zhduk. 17 Hyji i rrafshoi selitë e prijësve krenarë e i vendosi në vend të tyre të përvuajturit. 18 Hyji i çrrënjosi rrënjët e kombeve krenare, e në vend të tyre mbolli të përvuajturit. 19 Zoti i rrafshoi tokat e paganëve dhe i rrënoi deri në themele. 20 I thau disa prej tyre dhe i shpërnguli, e bëri të harrohet kujtimi i tyre nga toka. 21 Hyji e zhduki kujtimin e krenarëve dhe e ruajti kujtimin e të përvuajturve të vetdijshëm. 22 Nuk qe krijuar krenaria për njerëz as hidhërimi për të lindurit nga gruaja. Njerëzit e denjë për nderim 23 Cila dorë njerëzish është e nderuar? Ajo që e druan Hyjin! Kurse s’do të nderohet ajo dorë njerëzish që i shkapërcen urdhërimet e Zotit. 24 Mes vëllezërve nderohet prijësi i tyre; ata që e druan Zotin janë të nderuar para tij. 25 Endacaku, ardhacaku e skamnori: frika e Hyjit është mburrja e tyre! 26 Mos e përbuz skamnorin e drejtë e mos e madhëro mëkatarin e pasur. 27 Kryetari, gjykatësi e sundimtari duhen nderuar, por s’ka më të madh se ai që e druan Hyjin. 28 Skllavit të urtë i shërbejnë të lirët, njeriu i urtë e i ditur nuk nynykat kur të jetë qortuar. Përvujtëria dhe e vërteta 29 Mos shit mend kur kryen punën tënde e mos u lëvdo kur të jesh ngusht. 30 Më i mirë është ai që punon e ka gjithçka se ai që mburret e s’ka bukë. 31 Bir, me përvujtëri jepi nder vetes dhe ushqeje e nderoje veten sipas meritës. 32 Kush do ta shfajësojë atë që vetvetes i bën të keqen? Kush do ta nderojë atë që vetveten e çnderon? 33 Ka skamnor që nderohet pse është i ditur e i ndershëm, ka edhe njeri që nderohet pse është i pasur. 34 Kush nderohet në skamje aq më tepër do të nderohet në pasuri! Kush s’nderohet në pasuri, aq më pak në skamje! Mos i beso pamjes së jashtme 11 1 Urtia e të përvuajturit e bën lart ta mbajë kokën dhe e bën të rrijë mes të mëdhenjve. 2 Mos e lëvdo njeriun për bukurinë e tij, as mos e përbuz pse s’është i pashëm. 3 E vogël është bleta ndër kafshët fluturuese, por fryti i saj ka epërsinë mbi ëmbëlsira. 4 Kurrë mos u mburr për petkat e tua, as mos u kreno kur të jesh nderuar, sepse vetëm veprat e të Tejetlartit janë të mrekullueshme, e megjithatë janë të fshehta e të papashme veprat e Tija prej njerëzve. 5 Shumë mbretër ndenjën në pluhur e, një tjetër që s’pritej, mbarti kezën. 6 Shumë pushtetmëdhenj qenë mposhtur pa masë e shumë të shquar ranë në pushtet të tjetërkujt. Peshim e maturi Para s’e ta kesh pyetur askujt mos i bërtit, pasi ta kesh pyetur, qortoje drejt. 8 Para se të kesh dëgjuar, mos përgjigj e mos u përziej ndërsa mbahet fjalimi. 9 Për atë çështje që ty nuk të përket, mos bëj grindje e mos merr pjesë në gjyq të mëkatarëve. 10 Bir, mos merr mbi vete tepër shumë punë, nëse ngutesh s’do të jesh pa faj: sado që të ngutesh, nuk do të arrish dhe s’do t’ia dalësh të shpëtosh me ikje. 11 Ka njeri që mundohet, ngutet e vret veten: e megjithatë s’ia del të begatet. 7 Shpresa vetëm në Hyjin 12 Ka njeri të gjorë, që ka nevojë për ndihmë, përmëtepër të pafuqi, të pasur me skamje, 13 por syri i Hyjit e shikon me mirësi, e ngrit prej mjerimit të tij, e lartëson kokën e tij: dhe shumëkushi mbetet i habitur. 14 E mira dhe e keqja, jeta e vdekja, skamja e kamja prej Hyjit vijnë. 15 Urtia e kuptimi e njohja e Ligjit te Zoti janë, dashuria, veprat e dashurisë janë prej Tij. 16 Gabimi e terri kanë qenë krijuar për mëkatarët, ata që krenohen për të këqija, plaken në të këqija. 17 Dhurata e Hyjit qëndron me të përshpirtshmit dhe përkrahja e Tij përparon përgjithmonë. 18 Dikush pasurohet në fuqi të kursimit dhe ja, shpërblimi i tij: 19 thotë një ditë: “Tanipo pushoj, tani do të ha vetëm të mirat e mia”, 20 e s’di se koha kalon, vdekja afrohet, e do t’i lërë të gjitha të tjerëve e do të vdesë. 21 Qëndro në detyrën tënde dhe kryeje me kujdes e plaku në plotësimin e detyrave të tua. 22 Mos u lakmo veprave të mëkatarëve; shpreso në Hyjin e kryeje punën tënde, 23 sepse punë e lehtë është për Hyjin papritmas ta bëjë të pasur skamnorin. 24 Bekimi i Hyjit është shpërblim i vazhdueshëm i të drejtit dhe në një moment të shpejtë lulëzon përparimi i tij. 25 Mos thuaj: “Për çka kam nevojë e ç’të mira të tjera më lypen pas tashit?” 26 Mos thuaj: “Kam gjithçka mjaft! Ç’e keqe tjetër mund të më gjejë?” 27 Në të mira mos i qit në harresë të vështirat e në të vështira mos i qit në harresë të mirat, 28 sepse lehtë e ka Hyji ditën e vdekjes të shpërblejë secilin sipas jetës së tij. 29 Mjerimi i një çasti bën të harrohet mirëqenia dhe vdekja e njeriut i zbulon veprat e tija. 30 Para vdekjes askënd mos e mbaj të lum, sepse në fund të jetës njihet njeriu. Mos ki besim në njeriun e keq 31 Mos shtjer gjithkënd në shtëpinë tënde, sepse të shumta janë dredhitë e të keqit. 32 Sikurse rropullitë lëshojnë erë të rëndë, sikurse fëllënza joshëse në kafaz, porsi sorkadhja në lak, ashtu është zemra e krenarëve, porsi spiuni vëren rënien e të afërmit. 33 Shpifësi të mirën e shndërron në të keqe i njollos edhe njerëzit e virtytshëm. 34 Nga një shkëndijë e vetme bëhet prushi, prej njeriut të keq bëhen gjaqe; njeriu mëkatar bëhet pusi për vrasje. 35 Ruaju kolerësjellësit se djerron të keqen që rastësisht të mos njollosë me njollë të përhershme. 36 Pranoje në shtëpi të huajin e do të të pështjellojë gjithçka, do të të bëjë të huaj për njerëzit e tu. Veprat e mirësisë 12 1 Kur të bësh mirë, dije se kujt i bën mirë e të mirat e tua do të kenë mirënjohje të madhe. 2 Bëji mirë të drejtit e do të kesh shpërblim të madh, nëse jo prej tij, prej Hyjit me siguri. 3 S’mund të jetë mirë ai që vazhdon në të keqen e që nuk bën lëmoshë, sepse edhe i Tejetlarti i urren mëkatarët e ka mëshirë për ata që bëjnë pendesë. 4 Jepi të mëshirshmit e mos e prano mëkatarin; Hyji të paudhëve e mëkatarëve do t’u huamerret, duke i ruajtur ata për ditën e hakmarrjes. 5 Jepi të mirit e mos e prano mëkatarin. 6 Bëji mirë të përvuajturit e mos i jep të paudhit: mos ia jep armët e luftës që të mos bëhet më i fortë se ti. 7 Sepse dyfish do t’i kthejë me të këqija të gjitha të mirat që do t’ia kesh bërë atij, sepse edhe i Tejetlarti i ka inat mëkatarët dhe të paudhëve do t’u hakmerret. Miqtë e vërtetë e miqtë e rremë 8 Në të mira nuk njihet miku as në mjerim nuk mund të fshihet armiku. 9 Kur njeriu është mirë edhe armiqtë e tij i bëhen miq, kurse kur është në mjerim edhe miku i largohet. 10 Kurrë mos i beso armikut, sepse ligësia e tij është si bronzi që ndryshket. 11 Edhe nëse i mposhtur ecën me kokë pëdhe, rri me kujdes e ruaju prej tij. Ji me të si ai që fshin pasqyrën e do ta hetosh në fund se është i ndryshkur. 12 Mos e vër afër vetes as mos të rrijë në të djathtën tënde, që të mos kthehet në vendin tënd e të kërkojë selinë tënde, e atëherë do t’i marrësh vesh fjalët e mia e do të brejë ndërgjegjja për shkak të fjalëve të mia. 13 Kujt i dhimbset shituesi i gjarprit nëse e ha gjarpri si dhe të gjithë ata që u afrohen egërsirave? Kështu edhe ai që bën shoqëri me të paudhin e përzihet në mëkatet e tija, s’do të shpëtojë pa e pasë djegur zjarri. 14 Për një orë ai qëndron me ty, por, nëse rrëzohesh, ai më nuk përmbahet. 15 Në buzë armiku ka fjalë të ëmbla, por në zemrën e vet trillon të të hedhë në shpellë. 16 Sytë armikut i mbushen me lot, por, kur ia gjen mundësinë, gjë s’e ngin me gjak. 17 Nëse të gjen ndonjë e keqe, aty do ta gjesh, para vetes, 18 e, sikur po të ndihmon, këmbëzën ta shtie. 19 Do të luajë me kokë e do të rrahë me shuplakë, s’do të pushojë duke nynykatur e do të ndërrojë fytyrë. Shoqërohu me të barabartë 13 1 Kush përket pëshkven, prej saj zhytet; po edhe kush shoqërohet me krenarin, vishet me krenari. 2 Barrë më të rëndë sesa mund ta çosh mos merr, as mos u bëj shok me më të ndershëm e më të pasur se ti. 3 Pse të rrinë bashkë fulterja e vegshi? Sepse, kur të ndeshen, do të thyhet. 4 Pasaniku bën padrejtësi e turfullon, ndërsa skamnori, edhe i fyer, kërkon ndjesë. 5 Nëse i je i dobishëm, të shfrytëzon, por, nëse ke nevojë, të braktis. 6 Nëse ke ndonjë të mirë, bashkëjeton me ty, të rrëmben çka ke e s’është më në kujdes për ty. 7 Nëse do të ketë nevojë për ty, do të të gënjejë e, duke u qeshur, do të japë shpresë me fjalë të mira e do të thotë: “Për çka ke nevojë?” 8 E do të të turpërojë me gosti kremtore, deri që të të shfrytëzojë dy a tri herë e në fund do të të vërë në lojë. Kur pastaj do të të shohë, do të shmanget e do të luajë me kokë para teje. 9 Përvujtërohu para Hyjit e shpreso prej dorës së tij. 10 Kujdesu të mos lejosh të shfrytëzohesh e të mposhtesh për shkak të marrisë sate. 11 Mos ji i përvuajtur në urtinë tënde, që të mos përvujtërohesh e të gënjehesh në budallallëkun tënde. 12 po të thirri ndonjë i madh, rri larg, dhe aq më tepër do të të thërresë. 13 Mos u fur që të mos përbuzesh, por as tepër larg mos i rri, që të mos harrohesh. 14 Mos i jep vetes liri të flasësh me të si me të barabartë, as mos u beso fjalëve të tija të shumta; me fjalë të shumta ai do të vërë në provë dhe, duke u qeshur, t’i zbulon edhe zorrët. 15 Njeri i pashpirt është e i mban mend fjalët e tua: s’do t’i kursejë as të këqijat as prangat. 16 Ruaju e ki kujdes për çka dëgjon, sepse po bën rrugë me rrënimin tënd! 17 Kur t’i dëgjosh këto fjalë, zgjohu nga gjumi. 18 Me gjithë jetën tënde duaje Hyjin e thirre atë për shpëtimin tënd. 19 Çdo kafshë e do llojin e vet: kështu edhe njeriu shokun e vet. 20 Çdo gjallesë bashkohet me llojin e vet, kështu edhe njeriu me të ngjashmit e vet. 21 Ç’punë ka bisha me qengjin? Kështu edhe mëkatari me të drejtin. 22 Si përkojnë hiena e qeni? Ose ç’pjesë mes pasanikut e skamnorit? 23 Gomari në shkretëtirë - gjahu i luanit, kështu edhe kullota e të pasurve janë skamnorët. 24 Sikurse krenari e ka inat përvujtërinë, kështu i iritet edhe pasanikut skamnori. 25 Pasaniku nëse rrëzohet, mbahet prej miqve të tij, ndërsa nëse bie skamnori, përbuzet edhe prej të njohurve. 26 Rrëshqet pasaniku, shumë i vijnë në ndihmë, në foltë marrëzira, patjetër e përligjin. 27 Po ra i varfri, përmëtepër e qortojnë; në foltë fjalë të urta, askush s’ia vë veshin. 28 Flet pasaniku, të gjithë heshtin, dhe fjalën e tij e ngrenë deri në re. 29 Flet skamnori, pyesin: “Kush është ky?”, e nëse pengohet, i japin edhe shtytjen. 30 E mirë është pasuria për atë që s’ka mëkat në ndërgjegje, tejet i keq skami sipas fjalës së të paudhëve. 31 Zemra ia ndërron pamjen njeriut o në të mirë o në të keq. 32 Fytyra e gëzueshme është shenja e zemrës së mirë, vështirë do ta gjesh e me mund të madh. Lumturia e vërtetë 14 1 I lumi ai që nuk ka gabuar me fjalë e që nuk e mundon trishtimi i fajit. 2 I lumi ai që nuk e dënon shpirti i vet e që nuk e ka lënë shpresa e vet. Smira e koprracia 3 Njeriu dorështrenjtë kot e ka pasurinë e njeriut koprrac çka i duhet ari? 4 Kush është dorështrenjtë për vetvete, grumbullon për të tjerët, me të mirat e tija një tjetër do të gostitet. 5 Kush është i keq për vetvete, për kë do të jetë i mirë? Ai s’di t’i gëzojë as të mirat e veta. 6 S’ka gjë më të keqe se ai që ia ka smirë vetvetes, ky është shpërblimi i ligësisë së tij. 7 Po edhe në qoftë se bën mirë, e bën pa dije e pa dashur dhe në fund e dëfton keqësinë e vet. 8 Syri i koprracit është i keq, ai e shmang shikimin dhe i urren njerëzit. 9 S’ngihet syri i lakmimtarit me pjesën e vet deri sa e than dhe e shkrin jetën e vet. 10 Syri lakmues koprrac sulet mbi bukë dhe mbi tryezën e tij mungon. 11 Bir, nëse ke, mos e lër veten keq e Hyjit kushtoji fli të denja. 12 Mos harro se vdekja s’do të vonojë dhe vendimi i Nëntokës nuk të është zbuluar; vendimi i kësaj bote: vdekja e sigurt. 13 Para se të vdesësh bëji mirë mikut dhe sipas mundësisë sate ji me të bujar. 14 Mos ia moho vetes një ditë të lume e mos e lër pa gëzuar as një pjesëz të dëshirës së mirë. 15 Pse a s’do t’ua lësh të tjerëve frytet e mundit tënd, e mundin tënd a s’do ta ndajnë me short? 16 Dhuro e merr e gëzoje shpirtin tënd; 17 para se të vdesësh bëje drejtësinë, sepse në Nëntokë s’ke pse e kërkon gëzimin. 18 Çdo gjallesë vjetrohet si petku dhe porsi gjethi që del në pemë të njomë, 19 njëri del e tjetri bie: kështu edhe breznitë mishit e gjakut, njëra mbaron e tjetra lind. 20 Çdo vepër e shkatërrueshme do të mbarojë, me të mbaron edhe ai që e kryen, 21 por çdo vepër e zgjedhur do të kursehet dhe ai që e kryen do të nderohet në të. Lumturia e të urtit 22 Lum njeriu që qëndron në urtinë, që në drejtësinë e vet kujton urtisht e që me mend e ka para sysh shikimin shqyrtues të Hyjit, 23 që në zemrën e vet i mendon udhët e saja e që i kupton fshehtësitë e saja, që ecën pas saj porsi vëzhgues dhe ndalet në udhët e saja. 24 Ai shikon nëpër dritaret e saja e përgjon në derën e saj, 25 që pushon pranë shtëpisë së saj dhe e ngul gozhdën e vet në murin e saj: ndërton kaçorrin e vet përkrah saj e pushon në një strehim të mirash përgjithmonë. 26 Fëmijët e vet i vë në mbrojtjen e saj e banon nën degët e saj. 27 Mbrohet nën hijen e saj prej vapës e banon nën hijen e lavdisë së saj. 15 1 Kështu vepron ai që e druan Hyjin e kush është besnik ndaj Ligjit do ta fitojë urtinë. 2 Urtia i del përpara porsi nëna e ndershme dhe e pret porsi gruaja e virgjër. 3 E ushqen me bukë të jetës e të kuptimit, e ujon me ujë të urtisë shëlbimprurëse. Ai bëhet i patrandshëm në të e s’do të lëkundet, 4 ka besim në të e nuk do të turpërohet. Ajo e lartëson atë përmbi shokët e tij 5 dhe mes kuvendit gojën ia hap, e mbush me shpirt urtie e kuptimi dhe e vesh me petkun e lavdisë. 6 E pajis me ëmbëlsi e me gëzim dhe e merr trashëgim emrin e përhershëm. 7 Njerëzit e marrë kurrë s’do ta fitojnë, kurse njerëzit e mençur vetë i dalin në takim; mëkatarët s’do ta shohin me sy, sepse ajo rri larg nga krenaria e dredhia. 8 Rrenacakëve as që u bie ndër mend për të, kurse dashamirësit e të vërtetës gjenden në të e do të përparojnë deri të shohin Hyjin. 9 Lavdërimi i saj s’i ka hije gojës së mëkatarit, 10 sepse nuk i ka qenë dhuruar prej Hyjit. Urtisë së Hyjit i takon lavdërimi dhe e thotë goja e të urtit dhe pronari i saj e mëson atë. Liria njerëzore Mos thuaj: “Prej Hyjit është mëkati im!”, sepse çka Ai urren, kurrë nuk e bën. 12 Mos thuaj: “Ai vetë më joshi!”, sepse Atij s’i duhen gjë mëkatarët. 13 Hyji ka bezdi çdo poshtërsi, e urrejnë edhe të gjithë ata që e druan. 14 Hyji që në fillim e krijoi njeriun e la në dorë të vullnetit të lirë dhe e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet. 15 I dha urdhrat e urdhërimet e veta dhe dijen për të kryer çka Atij i pëlqen. 16 Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. 17 Para t’i vuri ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde! 18 Përpara njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: 11 çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet. 19 Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerje sheh gjithçka. 20 Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druajnë, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. 21 Askujt s’i ka urdhëruar të jetë i patenzonë dhe askujt s’i ka dhënë leje të mëkatojë. Mallkimi i të patenzonëve 22 Mos dëshiro shumë fëmijë të patenzonë e keqbërës. 16 1 Mos iu gëzo fëmijëve të patenzonë; sado shumë që të jenë, mos ju gëzo nëse nuk e kanë druajtje e Hyjit. 2 Mos llogarit mbi jetën e tyre as mos u mbështet mbi punën e tyre. 3 Vërtet, më i mirë është vetëm një që e druan Hyjin se një mijë djem të patenzonë. 4 Madje, më mirë është të vdesësh pa fëmijë se të lësh pas djem të patenzonë. 5 Prej vetëm një njeriu të arsyeshëm popullohet atdheu, kurse fara e keqbërësve do të shuhet. 6 Shumë nga këto gjëra ka parë syri im edhe më të mëdha se këto ka dëgjuar veshi im. 7 Në mbledhjen e mëkatarëve flakë do të ndizet zjarri e kundër popullit të pabesë do të shpërthejë zemërimi. 8 S’gjetën falje viganët e motshëm që iu çuan kundër pse i besonin fuqisë së vet. 9 Nuk i fali bashkëqytetarët e Lotit, që i kishte inat për shkak të krenarisë së tyre. 10 Nuk e mëshiroi as popullin e mallkuar, që qenë shuar në mëkatet e tyre. 11 Kështu veproi me gjashtëqind mijë këmbësorë që u bënë tok në ngurtësinë e zemrës së tyre, e, të kishte qenë edhe vetëm një zverrktrashë, çudi do të ishte të kishte shpëtuar pa ndëshkim, 12 sepse mëshira dhe hidhërimi janë me Hyjin, pret e fal, por edhe shpërthen në hidhërim. 13 Sa e madhe është mëshira e tij aq i madh është edhe ndëshkimi i tij: e gjykon njeriun sipas veprave të tij. 14 S’do të shpëtojë mëkatari me rrëmbimet e tija as s’do të shkojë hupës qëndresa e të mirit. 15 Çdo vepër mëshire do të ketë shpërblimin: gjithkush do të shpaguhet sipas meritës së veprave të veta e sipas dijes së shtegtimit të vet. Zoti e nguroi zemrën e faraonit që të mos e njohë, që veprat e tija të bëheshin të njohura nën qiell. Mëshira e tij iu dëftua të gjitha krijesave të tija, dritën e vet dhe errësirën e shpërndau ndër njerëz. Shpërblimi është i sigurt Mos thuaj: “Do të fshihem prej Hyjit! Kush do të mendojë për mua atje lart? 17 Nuk do të njihem në mes të Popullit të madh, sepse, kush jam unë në mes të një mizërie krijesash?” 18 Ja, qielli dhe qiejt e qiejve, humnera e toka mbarë, me çka është në to, dridhen kur ai i shikon! 19 Malet, bashkë me kodra, e themelet e tokës, së bashku dridhen kur Hyji i shikon! 20 Por për këto shpirti s’përsiat, e pra çdo zemër kuptohet prej tij. 21 Udhët e tija kush mund t’i kuptojë edhe stuhinë që askush s’e vëren? 22 Vërtet veprat e shumta të tijat janë në fshehtësi e veprat e drejtësisë së tij kush i shpall e kush i pret? Sepse larg është Besëlidhja e hetimi i të gjithave duket se mori fund. 23 Kështu mendon njeriu mendshkurtër, njeriu i paarsyeshëm, pse është gabim, mendon marrëzira. 16 Njeriu në krijim 24 Më dëgjo, o bir, e mësoje dijen, pa dredhi do ta tregoj mësimin e do të shqyrtoj ta tregoj urtinë: me gjithë mend vështroj fjalët e mia. Do t’i dëftoj me saktësi fuqitë që Hyji që në fillim i futi në veprën e vet dhe në të vërtetë do ta shpall dijen e tij. 26 Që në fillim kur Hyji i krijoi veprat e veta, që prej krijimit të tyre ua ndau pjesët, 27 i rregulloi përpikërisht e përgjithmonë veprat e veta dhe drejtimin e tyre gjatë breznive të ardhshme. As s’u urtësuan dhe as s’u munduan dhe nuk pushuan prej veprimtarisë së vet. 28 Asnjëra ndër to të afërmin e vet s’e ndesh 29 e kurrë s’ia prishin urdhrin e tij. 30 Pas kësaj Hyji shikoi mbi tokë dhe e mbushi me të mirat e veta. 31 Me gjallesa të çdo lloji ia mbuloi fytyrën e të gjitha në të përsëri do të kthehen. 17 1 Hyji nga toka e krijoi njeriun dhe e krijoi në përngjasimin e vet. 2 Përsëri njeriun e kthen në dhé dhe e veshi me fuqi si të veten. 25 3 Ia dhuroi një numër ditësh e kohë të caktuar dhe i dha pushtet mbi gjithçka është mbi tokë. 4 Bëri që çdo gjallesë ta ketë frikë njeriun, që të mbizotëronte mbi egërsira e mbi shpendë. 5 U dha arsye, gjuhë, sy e veshë e zemër që të mund të gjykonin dhe i mbushi me dije e me urti. 6 U dhuroi edhe dijen e shpirtit, me shqisa ua mbushi zemrën dhe ua tregoi të mirat e të këqijat. 7 Në zemrat e tyre ua përftoi frikën ndaj tij që t’u dëftonte madhërinë e veprës së vet. 8 U dha mundësinë të mburren në madhëritë e tija që ta lavdërojnë së bashku Emrin e tij të shenjtë e t’i shpallin madhëritë e veprave të tija. 9 E u shtoi pastaj edhe dijen e u dhuroi Ligjin e jetës. 10 E bëri Besëlidhje të amshueshme me ta e ua dëftoi drejtësinë e gjyqet e veta. 11 Sytë e tyre panë madhërinë e lavdisë së tij e veshët e tyre dëgjuan zërin e tij të lavdishëm. E u tha: “Ruhuni nga çdo keqbërësi!” 12 e i dha secilit urdhra në lidhje me të afërmin. Gjykatësi hyjnor 13 Udhët e tyre janë gjithmonë para tij: nuk janë të fshehta para syve të tij. 14 Secilit popull i vuri kryetarin, 15 kurse Izraeli është pjesa e Hyjit. 16 Të gjitha veprat e tyre janë si dielli para tij e sytë e tij gjithnjë mbikqyrin nëpër udhët e tyre. 17 Nuk mund të fshihen keqbërësitë e tyre, të gjitha mëkatet e tyre janë para syve të Hyjit. 18 Veprat e dashurisë janë si vula para tij dhe e ruan si beben e syrit veprën e mirë të njeriut. 19 Pastaj Ai do të ngritet e do t’i shpërblejë duke bërë të bjerë shpërblimi i secilit mbi kokë të secilit. 20 Atyre që pendohen u dha udhën e kthimit, u dha fuqi atyre që u mungon qëndresa dhe ua caktoi fatin e të vërtetës. Ftesë për pendesë 21 Kthehu kah Hyji e lëri mëkatet e tua, lutu para fytyrës së Hyjit e pusho me fyerje. 23 Kthehu tek i Tejetlarti e largoju keqbërësisë sate dhe urreje paudhësinë. 24 Njihi drejtësinë e gjyqet e Hyjit qëndro në shortin e gjendjes e të lutjes së Hyjit të tejetlartë. 22 25 Të Tejetlartin kush do ta lavdërojë në Nëntokë në vend të të gjallëve që i këndojnë lavde Hyjit? 26 Mos qëndro në gabimin e të patenzonëve: para se të vdesësh lavdëroje Hyjin, prej të vdekurit - si të mos ishte asgjë, mbaron lavdërimi. 27 Lavdëro sa të jesh gjallë, gjallë e shëndosh lavdëro, lavdëroje Hyjin e mburru me dhembshurinë e tij! 28 Sa e madhe është mëshira e Zotit, dhembshuria i tij për ata që kthehen tek Ai! 29 Njerëzit nuk mund të kenë gjithçka, sepse biri i njeriut nuk është i pavdekshëm. 30 Çka është më e ndritshme se dielli? Por edhe ai errësohet! Ose ç’është më e keqe se trillon mishi e gjaku? Edhe ky do të ndëshkohet! 31 Zotynë mbikëqyr ushtritë e qiejve të lartë, e të gjithë njerëzit janë pluhur e hi. Madhëria e Hyjit 18 1 Ai që jeton në jetë të jetës krijoi gjithësinë. Vetëm Hyji është i drejtë e mbetet mbret i pamposhtur për amshim. 2 Kush është i aftë t’i tregojë veprat e tija? 3 Kush mund t’i gjurmojë madhëritë e tija? 4 Kush mund ta shpallë fuqinë e madhërisë së tij? Ose kush mund të marrë guxim ta tregojë mëshirën e tij? 5 S’ka çka mund t’i hiqet as që mund t’i shtohet, është e pamundur të shqyrtohen mrekullitë e Tenzot! 6 Kur njeriu mendon se i dha fund, atëherë ia fillon, e, kur zë vend, sheh se sa pak di! Njeriu është një asgjë Çka është njeriu, ky i sëmurë, ç’dobi ka? Cila është e mira e cila e keqja e tij? 8 Numri i ditëve të njeriut më së shumti njëqind vjet, s’janë më shumë se një pikë e ujit të detit, se një kokërr rërë në krahasim me amshimin! 9 Për këtë arsye Hyji është i mëshirshëm me njerëzit dhe zbraz mbi ta mëshirën e vet. 10 E sheh vetëbesimin e zemrës së tyre se është e keqe, e njeh prishjen e tyre se është e mbrapshtë, 11 prandaj e shtoi dhembshurinë mbi ta dhe ua tregoi udhën e drejtësisë. 12 Mëshira e njerëzve ushtrohet ndaj të afërmit, ndërsa mëshira e Hyjit ushtrohet ndaj të gjithë të gjallëve. 13 Ai qorton, mëson e edukon porsi bariu që e drejton grigjën e vet. 7 14 Ka mëshirë për ata që e marrin mësimin e mirësjelljes, ata që shpejtojnë të kryejnë urdhërimet e tija. Mënyra e dhënies 15 Bir, bamirësinë mos e përcill me qortim as dhuratën me fjalë të vrazhda. 16 Pse, a të nxehtët nuk e freskon vesa? Kështu edhe fjala është më e mirë se dhurata. 17 Pse, a thua s’vlen fjala më shumë se dhurata e mirë? Por të dyja gjenden në njeriun e hirshëm. 18 I marri qorton me ashpërsi e dhurata e smirëziut bën të pëlcasë vaji. Përsiatje e parashikim 19 Para gjyqit bëja vetes gati avokatin e para se të flasësh, mëso. 20 Para sëmundjes përdore barin shërues, para gjyqit shqyrtoje vetveten dhe në kohën e të parit do të gjesh mëshirë. 21 Para sëmundjes përule vetveten, kur të kesh mëkatuar, dëfto se je penduar. 22 Mos e lër pa kryer kushtin në kohën përkatëse e mos prit vdekjen për t’u shfajësuar, sepse shpërblimi i Hyjit mbetet në amshim. 23 Para se të bësh kusht përgatite veten e mos ji si ai që e vë në provë Hyjin. 24 Mendo mbi hidhërimin e ditëve të fundit e për kohën e ndëshkimit kur Hyji të kthejë fytyrën. 25 Në kohën e begatisë mendoje urinë, edhe për varfëri e skamje në kohë të kamjes. 26 Nga mëngjesi në mbrëmje ndërron koha e gjithçka kalon me vrap para syve të Hyjit. 27 I urti gjithmonë rri gati e në ditët e mëkatit ruhet prej fajit. 28 Njeriu i mençur e njeh urtinë dhe e lavdëron atë që e gjen. 29 Ata që i marrin vesh fjalët e urta edhe vetë bëhen të urtë, e kuptojnë të vërtetën e drejtësisë dhe si shi derdhin fjalë të urta e thënie. Zotërimi i vetvetes 30 Zotërimi i vetvetes. Mos i ndiq dëshirimet e tua dhe ruaje vetveten prej epsheve të tua. 31 Nëse ia lejon shpirtit tënd plotësimin e dëshirimit, do t’i bësh të kënaqen armiqtë e tu. 32 Mos e kënaq veten me gosti të shumta, sepse rrjedhimi i tyre është varfëri e dyfishtë. 33 Mos ji grykës e pijanec kur kuletën e ke pa gjë: do të bëhesh smirëziu i jetës sate. 19 1 Punëtori pijanec nuk do të bëhet i pasur e kush përbuz gjërat e vogla, për së shpejti do të bëhet i varfër. 2 Vera e gratë i prishin edhe të mençurit, sharron ai që bashkohet me lavire: bëhet prona e kalbësirës dhe e krimbave. 3 Mendja e madhe e zeza e të zot: shuhet prej të gjallëve jeta e tij dhe do të përmendet si shembull bindës. Kundër fjalamanisë 4 Kush beson shpejt, është mendjelehtë edhe i mangët; atij që e dëmton jetën e vet, kush do t’i jetë i padëmshëm? 5 Kush kënaqet në të keqe, do të ndëshkohet; 6 kush e urren qortimin, shkurton jetën, kush urren fjalamaninë, zhduk paudhësinë. 7 Kurrë mos e përsërit fjalën e keqe e të rëndë e me siguri nuk do të kesh farë dëmi. 8 Mos fol për mik as për armik e, nëse e di fajin, mos e zbulo: 9 sepse do të të dëgjojë e do të të ruhet e, për të mbrojtur fajin, do të të urrejë. 10 Dëgjove ndonjë fjalë për të afërmin? Ruaje në vetvete, sepse nuk do të bëjë të pëlcasësh! 11 Kur dëgjon diçka, të marrin e kapin dhimbjet, si dhimbjet e lindëses së fëmijës: 12 shigjetë e ngulur në kofshën e njeriut është fjala në zemrën e të marrit. Vërtetoj thashethemet 13 Pyete mikun a mos e ka bërë të keqen e ai do të të thotë: “S’e kam bërë!”, ose, nëse e ka bërë, porosite të mos vazhdojë. 14 Pyete të afërmin a mos ka thënë e, nëse e ka thënë, këshilloje të mos e përsëritë. 15 Pyete mikun, sepse shpesh janë shpifje 16 e mos i beso secilës fjalë. Njeriut shpesh mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë pa qëllim të keq, 17 e kush është që nuk gabon në ndonjë fjalë? Pyete të afërmin para se të kërcënohesh 18 dhe lëri vend Ligjit të të Tejetlartit. Urtia e vërtetë dhe e rreme E tërë urtia qëndron në frikën e Hyjit, në të është kryesore të druhet Hyji: në të gjithë urtinë qëndron nderimi i Ligjit. 19 Nuk është urti dija e të keqes e s’është mençuri këshilli i mëkatarëve. 20 Ka mendjemprehtësi që është e urrejtshme, ka të marrë që i mungon vetëm urtia. 21 Më i mirë është njeriu me dije të vogël, por plot me frikë të Zotit, se njeriu plot dije që e shkel Ligjin e Tenzot. 22 Ka mendjemprehtësi të hollë e megjithatë të padrejtë: 23 përdor dredhi për të nxjerrë veten të drejtë. Ka nga ata që shiten të ndrydhur e të përgrirë e brendia e tyre është plot dredhi. 24 Ka edhe të tillë që përkulen shumë sikur prej përvujtërisë së madhe, me fytyrë përdhe, veshët i shtjen në lesh, po s’e vure re, të sulmon në moh. 25 Nëse s’bën keq pse i mungon forca për të bërë keq, kur ta gjejë rastin, s’e lë pa bërë keq. 26 Nga pamja e jashtme njihet njeriu, nga pamja e fytyrës njihet njeriu i arsyeshëm: 27 petku i njeriut, qeshja e dhëmbëve e të ecurit e njeriut tregojnë se kush është. Të heshturit e të folurit 28 Ka qortim që nuk është i përshtatshëm, ka edhe mundësi që s’vërtetohet se është e mirë; ka kush kalon në heshtje e ai është i matur. 20 1 Sa më mirë është të qortosh se ta mbash hidhërimin; atij që e pranon gabimin pranoja lutjen. 2 Tredhak zhvirgjërues i virgjërës 3 është ai që me dhunë do të mbajë drejtësinë! 4 Sa mirë është kur i qortuari e vërteton së është penduar! Kështu i ikën mëkatit të vullnetshëm. 5 Dikush hesht e çmohet i mençur, një tjetri s’i hyn gjuha në gojë e bëhet i urrejtshëm. 6 Dikush hesht, pse s’di të përgjigjë, një tjetër hesht pse e di kohën e përshtatshme. 7 Njeriu i mençur hesht deri në çastin e volitshëm, llafazani e marrani s’e presin rastin. 8 Kush flet tepër bëhet i urryeshëm, e ai që i jep vetes tepër liri, bëhet i neveritshëm. Paradokset 9 Dikush edhe në fatkeqësi nxjerr fitim, por ka edhe dobi që sillet në dëm. 10 Ka dhuratë që s’ka farë dobie e ka dhuratë që vlen dyfish. 11 Ka lavdi që çon në përvujtërim, dhe që nga përvujtërimi e lartëson kokën. 12 Ka që blen shumë gjëra me çmim të vogël, e ndërkaq e paguan shtatëfish. 13 I urti me fjalë e bën veten të dashur, kurse përkëdheljet e të marrit shkojnë hupës. 14 Dhurata e të marrit nuk të del e dobishme, sepse syri i tij dëshiron të nxjerrë shtatëfish: 15 jep pak e fyen shumë, goja e tij e hapur si goja e lajmshpallësit /tellallit/. 16 Sot huazon e nesër kërkon t’i kthehet: njeriu i tillë është i neveritshëm. 17 I marri thotë: “S’kam mik, s’gjej falënderim për bamirësitë e mia.” 18 Sepse ata që po hëngërkan bukën e tij na qenkan fjalëkëqij! Sa herë e sa shumë njerëz do ta vënë në lojë! 19 Sepse çka ka nuk e ndan me shpirt të drejtë edhe gjithashtu për çka s’ka s’është në kujdes. Fjalët e papërshtatshme 20 Më mirë të rrëzohesh për tokë se të gabosh me gjuhë: kështu rënia e mëkatarëve vjen papritmas. 21 Njeriu i pahir përrallë e pakripë: gjendet në gojën e të pagdhendurve. 22 Fjala e urtë s’vlen gjë në gojën e të marrit, sepse nuk e thotë në kohë të përshtatshme. 23 Ka nga ata që i ndalon të mëkatojnë skamja e në kohë të pushimit nuk i bren ndërgjegjja. 24 Ka nga ata që birren nga turpi i shekullit, humbasin për faqen e të marrit. 25 Ka edhe nga ata që prej turpit i premton ndonjë gjë mikut dhe e bën armik pa nevojë. Gënjeshtra 26 Njollë e keqe në njeriun gënjeshtra dhe është vazhdimisht në gojën e të pagdhendurve. 27 Më mirë brac se trillues gënjeshtrash: por të dy do të trashëgojnë rrënimin. 28 Sjellja e njeriut që gënjen është e pandershme, turpi e përcjell vazhdimisht. Urtia 29 Bisedë mbi urtinë: I urti e nderon veteveten me fjalë, njeriu i mençur u pëlqen të mëdhenjve. 30 Kush punon tokën e vet, do të ketë të korra të mëdha, kush vepron drejt, rrit vetveten e kush u pëlqen të mëdhenjve, i shpëton paudhësisë. 31 Dhuntitë e dhuratat i verbojnë sytë e gjykatësve, e si tapa në gojë i shmangin qortimet e tyre. 32 Një urti e mbajtur fshehur e visari që s’shihet, ç’dobi prej të dyve? 33 Më i mirë është ai që e fsheh padijen e vet sesa ai që e fsheh dijen e vet. Mëkate të ndryshme 21 1 Bir, ke mëkatuar? Mos e bëj më, e lutu për mëkatet e kaluara që të të falen. 2 Si prej gjarpri ik para mëkateve, se, po iu afrove, do të të hanë! 3 Dhëmbë luani janë dhëmbët e tyre: njerëzve ua marrin jetën. 4 Shpatë me dy teha është çdo paudhësi: plagët e saja janë të pashërueshme. 5 Tmerri e padrejtësia e zhdukin pasurinë, shtëpinë sado të pasur e shkreton krenaria: kështu asgjësohet pasuria e krenarit. 6 Lutja e skamnorit prej gojës së tij arrin në veshët e Perëndisë dhe pa vonesë do t’i jepet e drejta. 7 Kush e urren qortimin, ndjek gjurmët e mëkatarit, kurse kush e druan Hyjin, e pranon në zemër. 8 Larg e larg njihet njeriu gjuhëgjatë, por i urti e di se do të rrëzohet. 9 Kush ndërton shtëpinë e vet me para të huaja është si ai që mbledh gurë për dimër. 10 Shtëllungë liri është mbledhja e të patenzonëve: mbaron në flakën e zjarrit. 11 Udha e mëkatarëve është e shtruar me kalldrëm, por mbaron në humnerën e Nëntokës. I urti e i marri 12 Kush e mban ligjin, mbizotëron epshet, rrjedhoja e frikës së Zotit është urtia. 14 Kush s’është i aftë nuk mund të bëhet i urtë, 15 sepse ka mendjemprehtësi që shtohet me paudhësi dhe s’ka urti ku ka shqetësim hidhërimi. 16 Dija e të urtit vërshon me shumicë, 13 këshilli i tij është si burimi i jetës. 17 Zemra e të marrit është si vegshi i thyer, s’e mban pikën e urtisë! 18 Kur njeriu i mençur e ndjen një fjalë të urtë, e lavdëron dhe e shton një tjetër; kur e dëgjon një njeri epshor ndjen pakënaqësi dhe e hedh pas shpinës së vet. 19 Biseda e të marrit porsi barra në udhëtim, kurse në buzët e të urtit gjendet kënaqësia. 20 Fjala e njeriut të urtë kërkohet në mbledhje dhe për fjalët e tija përsiatet në zemër. 21 Shtëpi e rrënuar është urtia e budallait, dija e të padijshmit e vetkuptueshme. 22 Disiplina për budallain është si prangat në këmbë dhe si zinxhirët në dorën e tij të djathtë. 23 I marri qeshet me zë të lartë, kurse njeriu i urtë bën buzën në gaz, në heshtje. 24 Stoli ari për të urtin disiplina, byzylyk ari në dorën e djathtë të tij. 25 Këmba e të marrit vrapon të hyjë në shtëpinë e të afërmit, kurse njeriu i njerëzishëm afrohet me njerëzi. 26 I pamendi shikon nga dritare në shtëpinë e huaj, kurse i njerëzishmi pret përjashta. 27 Njeriu i panjerëzishëm përgjon pas dere, kurse për të urtin është turp i madh. 28 Buzët e fjalamanit flasin marri, kurse fjalët e të urtit janë mirë të peshuara. 29 Zemra e të marrëve është në gojën e tyre, ndërsa goja e të urtëve është në zemrën e tyre. 30 Kur i patenzoni mallkon kundërshtarin e vet, ai vetë e mallkon vetveten. 31 Shpifësi përdhos vetveten e gjithkush e urren; po edhe ai që qëndron me të, bëhet i urrejtshëm, nderohet kush di të heshtë e është i arsyeshëm. Përtaci 22 1 Me gur të përbaltur krahasohet përtaci, gjithkush i fishkëllen në shenjë përbuzjeje. 2 Me pleh lopësh krahasohet përtaci, kushdo e prek, e shkund dorën e vet. Fëmijët e zvetënuar Çnderim i babait është fëmija që s’do të mirërritet e, nëse është vajzë, i lind për poshtërim. 4 Vajza e urtë është visar për burrin e saj, kurse e pafytyra e çnderon atë që e lindi. 5 Vajza mospërfillëse çnderon babain e burrin, do të përbuzet prej njërit e prej tjetrit. 3 6 Muzikë në vaj biseda e pavend, kurse në çdo kohë vetmohimi e mësimi janë urti. Urtia e marria 7 Kush mëson të marrin, pik thërrime, kush flet me atë që s’e dëgjon, është si ai që zgjon gjumashin. 9 Flet me të fjeturin kush i tregon të marrit urti, sepse në fund do të pyetë: “Kush është ky?” 10 Qaj mbi të vdekurin, sepse i është fikur drita, qaj mbi të marrin, sepse i është fikur arsyeja. 11 Më pak qaj mbi të vdekurin, sepse ka pushuar, 12 kurse jeta e të marrit është më e keqe se vdekja. 13 Zija e të vdekurit zgjat shtatë ditë, kurse e të marrit dhe e të paudhit zgjat të gjithë jetën e tyre. 14 Mos fol gjatë me të marrin e mos udhëto me të pamendin. 15 Ruaju tij që të mos të mërzisë e të mos të ndotë me prekje të vet. 16 Largoju tij e do të gjesh qetësi e nuk do ta mërzisë marrëzira e tij. 17 Çka është më e rëndë se plumbi? E si të quhet ndryshe përveç se “i marrë”? 18 Më lehtë mbartet rëra, kripa e pllaka e hekurt se i pamendi, i marri e i patenzoni. 19 Sikurse trau i mbërthyer mirë në godinë nuk shkëputet nga dridhja e tokës, ashtu edhe zemra e forcuar me vendosje të pjekur, nuk trembet nga asnjë frikë. 20 Zemra e forcuar me mendim të vendosur është si stolia në murin e përfunduar. 21 Si hunjtë në lartësi e gurët e vënë pa gëlqere s’mund të qëndrojnë kundër erës së fortë, 22 kështu edhe zemra e frikësuar në mendjen e të marrit s’mund t’i qëndrojë asnjë sulmi të frikës. 8 23 Miqësia 24 Kush e vret syrin, e bën të lotojë, edhe ai që e vret zemrën e dëbon miqësinë. 25 Kush me gurë i gjuan shpendët, i vë në të ikur, kështu edhe ai që e fyen mikun, e këput miqësinë. 26 Nëse kundër mikut edhe nxjerr shpatën, mos e bjerr shpresën: sepse ka mundësi të kthehet; kundër armikut 27 nëse mjerisht e ke hapur gojën, prapë mos u tremb: ka mundësi pajtimi, por në rast të fyerjes, të poshtërimit e të krenarisë, të zbulimit të fshehtësisë e të plagës me tradhti: në raste të tilla çdo mik largohet. 28 Fitoje besimin e të afërmit tënd sa të jetë në skamje, që të kesh pjesë edhe në pasurinë e tij të mëvonshme. 29 Në ditët e vështirësisë së tij qëndro besnik që bashkë me të të ndash trashëgimin e tij. 30 Para zjarrit del nga furra avull e tym, kështu edhe para gjakut nëma, të sharat e kërcënimet. 31 Të mbroj mikun nuk më vjen turp, s’fshehem përpara tij, e, nëse edhe të këqija do të më ndodhin për shkak të tij, do t’i duroj: 32 Kushdo që të dëgjojë, do të ruhet prej tij. Vigjilenca Ku ta gjej atë që të m’i vërë gojës sime rojën e buzëve të mia vulën e maturisë, që të mos gaboj me to e të mos më bjerrë gjuha ime? 23 1 O Zot, Ati e Zotëruesi i jetës sime, mos më lësho tekave të tyre dhe mos lejo të humbas për shkak të tyre. 2 Ku ta gjej atë që t’u sjellë frushkull mendimeve të mia, që të bëhet disiplinë urtie për zemrën time, që të mos m’i falë gabimet e mia e fajet e mia të mos mbesin pa ndëshkuar, 3 që të mos shtohen gabimet e mia, e të mos shumohen fajet e mia, mëkatet e mia e të bie për tokë para kundërshtarëve të mi dhe të gëzojë mbi mua armiku im? 4 O Zot, Ati e Hyji i jetës sime, mos më lësho në tekat e tyre! 5 Mos më jep assesi sy krenarie dhe flake larg meje çdo dëshirim epshor. 6 Zhduki prej meje dëshirimet trupore të ulta, që epshet e ulëta të mishit e të gjakut të mos më mbizotërojnë dhe mos më lësho në dorë të dëshirave të pandershme të pangishme e të turpshme. 33 Përbetimet 7 Zotërimi i gojës: Dëgjoni, bijtë e mi, si mbizotërohet goja! Kush ta ruajë atë, s’do të gabojë më buzë e s’do të bjerë në vepra shumë të këqija. 8 Njeriu zihet në lak për shkak të buzëve të veta edhe për shkak të tyre rrëzohet llafazani e krenari. 9 Gojën tënde mos e mëso të bëjë be: të shumta janë rëniet për shkak të saj. 10 Mos e përmend shpesh Emrin e Hyjit dhe mos u përziej në emrat e shenjtërve, sepse s’do të mbetesh i pandëshkuar. 11 Sepse, sikurse skllavi që vazhdimisht mbikëqyret s’ka se si të mbesë pa plagë, kështu edhe ai që përbetohet e për çdo gjë merr nëpër gojë Emrin e Zotit, s’do të mbesë i pastër prej mëkatit. 12 Njeriu që betohet shumë, mbushet me faje, prej shtëpisë së tij s’do të largohet plaga. 13 Nëse e lë mangu, faji i tij mbi të do të bjerë, e, nëse betohet në rrenë, mëkaton dyfish. 14 Nëse përbetohet kot, nuk do të jetë i pafajshëm: shtëpia e tij do të mbushet me të zeza. Fjalët e ndyta 15 Është një tjetër mënyrë të të foluri që duhet krahasuar me vdekjen: kurrë mos u gjettë në trashëgimin e Jakobit! 16 Të gjitha këto larg qofshin prej të përshpirtshmëve që të mos zhgërryhen në mëkate. 17 Mos e mëso gojën tënde në fjalë të ndyta: sepse me to bën mëkat me fjalë. 18 Kujto babain e nënën tënde kur të rrish mes njerëzve të mëdhenj, 19 me qëllim që të mos habitesh para tyre e të sillesh si i marrë nga vesi i keq, të poshtërosh vetveten, do të parapëlqesh të mos kishe lindur dhe do ta mallkosh ditën e lindjes sate. 20 Njeriu i mësuar të flasë fjalë poshtëruese, kurrë gjatë tërë jetës së tij s’mund të ndreqet. Mëkatet e fëlligështisë 21 Dy lloje njerëzish i shumojnë mëkatet e i treti lloj sjell mbi vete hidhërimin e humbjen: 22 epshi i ndezur si zjarri djegës, që nuk fiket po nuk shfreu 23 dhe njeriu që bën fëlligështi në trupin e vet: nuk pushon deri sa zjarri ta ketë shuar. 24 Fëlligështarit çdo bukë i është e shijshmë: s’do të pushojë deri të vdesë. 25 Njeriu që mëkaton në shtratin e vet, përbuz në shpirt të vet e thotë: “Kush më sheh? 26 Terri më rrethon e muret më fshehin, askush përreth s’më shikon, kë të kem frikë? Fajet e mia s’do t’i bien në mend të Tejetlartit”; 27 s’e kupton se syri i Tij sheh gjithçka, sepse e dëbon prej vetes druajtjen ndaj Hyjit frika e njeriut të tillë. Vetëm sytë e njerëzve të tillit i shtinë frikë 28 e s’e di se sytë e Zotit janë shumë më të ndritshëm se dielli, që i shikojnë të gjitha udhët e njerëzve e thellësitë e oqeanit dhe shohin deri skutat më të fshehta të zemrës së njerëzve. 29 Hyji Zot të gjitha i ka të njohura edhe më përpara se të krijoheshin, kështu, edhe pasi i ka krijuar, të gjitha i sheh. 30 Të tillin do ta gjejë ndëshkimi në udhët e qytetit, do të mundohet të ikë porsi zogu i pelës, por, ku s’do ta presë, aty do të kapet, 31 dhe do të jetë çnderim për të gjithë sepse nuk e kuptoi frikën e Zotit. Gruaja kurorëshkelëse 32 Kështu i ndodh edhe gruas që e lë burrin e vet dhe i lind trashëgimtarë me njeri të huaj. 33 Sepse, më së pari e ka shkelur Ligjin e të Tejetlartit, së dyti ka bërë faj kundër burrit të vet, së treti ka bërë fëlligështinë e kurorëshkeljes dhe nga një njeri i huaj ka lindur trashëgimtarë. 34 E tilla do të nxirret para bashkësisë e do të bëhet shqyrtimi i fëmijëve të saj. 35 Fëmijët e saj nuk do të lëshojnë rrënjë dhe gemat e saj nuk do të japin fryte. 36 Kujtimin e vet do ta lërë në mallkim dhe çnderimi i saj kurrë nuk do të shlyhet. 37 Të gjithë ata që mbesin pas saj do ta dinë se s’ka asgjë më të mirë se frika e Hyjit, asgjë më të ëmbël se zbatimi i urdhërimeve të Zotit. 38 Është nder i madh të ndiqen gjurmët e Zotit, sepse jeta e gjatë vjen prej Tij. Lavdërim urtisë 24 1 Lavdi urtisë. Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, 2 në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: 3 lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, 4 lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet e do të thotë: 5 “Kam dalë prej gojës së të Tejetlartit, e parëlindura para të gjitha krijesave. 6 Unë bëra që në qiell të lindë drita e pashqimtë e porsi mjegulla e mbulova mbarë tokën. 7 Në lartësitë qiellore ngula banesën time dhe troni im në shtyllën e resë. 8 Vetëm e përshkova rrethin qiellor, depërtova deri në fund të oqeanit, 9 qëndrova mbi valët e detit e kudo mbi tokë; 10 kam përparësinë mbi çdo popull e çdo komb, 11 sundoj mbi zemrat e të shquarve e te përvuajturve. Në të gjithë këta kërkova pushim: kujt t’i bëhem trashëgim? 12 Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime 13 duke më thënë: ‘Ngule banesën ne Jakob e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi.’ 14 Që në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të pushoj të jem askurrë! 15 Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. 16 Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. 17 U lartësova porsi cedri në Liban, porsi selvia në malin Hermon. 18 U rrita porsi palma në Engadi dhe porsi trëndafiloret në Jerik. 19 Porsi ulliri i bukur në lugina, u rrita porsi rrapi në breg të lumit, në sheshe. 20 Si cinamomi e balsami erëzues dhashë erë të mirë, dhashë erë të këndshme porsi mirra e dorës së parë, 21 porsi storaksi, galbani, si vaji i mirrës, i aloesë dhe porsi era e Libanit në Tendën e shenjtë. 22 Porsi terebentina i hapa degët e degët e mia degë nderi e hiri. 23 Porsi hardhia bulëzova hijeshinë e lulet e mia lidhin fryte nderi e ndershmërie. 24 Unë jam nëna e dashurisë së bukur, e frikës, e dijes dhe e shpresës së shenjtë. 25 Në mua është hiri i çdo udhe të vërtetë, në mua është çdo shpresë jete e virtyti. 26 Ejani tek unë të gjithë ju që më dëshironi e do të mbusheni me të mirat e mia. 27 Mësimi im është më i ëmbël se mjalti, më i ëmbël se mjalti në hoje, 28 kujtimi im në jetë të jetës. 29 Ata që më hanë, përsëri do të kenë uri, ata që më pinë, përsëri do të kenë etje. 30 Kush më dëgjon mua, nuk do të turpërohet, kush i kryen veprat e mia, kurrë nuk do të gabojë. 31 Kush më ndriçon mua, do ta ketë jetën e pasosur”. Urtia e Ligji 32 E gjithë kjo është Libri i Besëlidhjes së të Tejetlartit, Ligji që na e ka urdhëruar Moisiu si trashëgim shtëpisë së Jakobit. 34 I dha Davidit, shërbëtorit të vet, të ngritë prej tij një mbret tejet të fortë, që të rrijë përherë mbi fronin e nderit. 35 Ligji është përplot me urti si Fisoni me ujë, porsi Tigri në ditët e pranverës, 36 bën të vërshojë aftësia mendore si Eufrati, porsi Jordani në kohën e të korrave, 37 e zgjeron disiplinën porsi Nili ujin porsi Gehoni në kohën e të vjelave. 38 S’ia doli i pari ta marrë vesh plotësisht, as i fundit s’do të mund ta shqyrtojë sa duhet. 39 Mendimi i tij është më i begatë se deti, trillimet me të thella se oqeani. 40 Unë, urtia, i zbraza lumenjtë, 41 jam porsi kanali i ujërave të shumta të lumit, porsi ujësjellësi i sjellë ndër kopshte. 42 Thashë: “Do ta ujis kopshtin tim me të mbjella, do t’i ngij me ujë lulishtet e mia.” 43 Dhe, ja, e bëra një kanal në lumë dhe lumi im erdhi e u bë det. 44 Do ta bëj të ndriçojë mësimi im si agimi, do ta bëj të ndriçojë larg e larg. 45 Do të përshkoj tokën në të gjitha pjesët e poshtme, do t’i mbikëqyr të gjithë ata që flejnë, do t’i ndriçoj të gjithë ata që shpresojnë në Zotin. 46 Mësimin do ta ndikoj porsi profecinë dhe do t’ua lë breznive të ardhshme e s’do të sosem në breznitë e tyre për amshim. 47 Shikoni: s’u mundova vetëm për vete, por për të gjithë ata që e kërkojnë. 33 Fjalët e urta 25 1 Shpirtit tim i pëlqejnë tri gjëra që janë të pëlqyeshme para Hyjit e njerëzve: 2 përkimi mes vëllezërve e dashuria mes fqinjve, burri e gruaja që përkojnë në dashuri. 3 Po edhe tri lloje njerëzish i urren shpirti im dhe tepër e kam inat jetën e tyre: 4 skamnorin krenar, pasanikun rrenacak, plakun fëlligështar që e ka lënë mendja. Pleqtë 5 Nuk bashkove asgjë në rini, çka do të gjesh në pleqëri? 6 Sa bukur u ka hije thinjave gjykimi dhe pleqve njohja e këshillit! 7 Sa e hijshme është për të vjetrit urtia dhe për të shquarit kuptimi e këshilli! 8 Keza e pleqve përvoja e madhe e mburrja e tyre frika e Zotit. Fjalët e urta numërore 9 Nëntë gjëra shpirti im i mban të lume e të dhjetën mund ta thotë gjuha ime: 10 njeriu që e gjen gëzimin në fëmijët e vet e që ia arrin të shohë rënien e armiqve të vet; 11 i lum ai burrë që jeton me grua të arsyeshme dhe nuk i duhet të lëvrojë njëherësh me ka e me gomar; ai që nuk gaboi me gjuhën e vet e kur s’i shërben më të padenjit se vetja. 12 I lumi ai që gjeti mik të vërtetë e ai që ua tregon drejtësinë veshëve që e dëgjojnë. 13 O sa i madh është ai që e ka gjetur urtinë e dijen, megjithëse s’është më i madh se ai që e druan Hyjin. 14 Frika e Hyjit i tejkalon të gjitha, 15 ai që e ka me kë të krahasohet? 16 Frika e Zotit fillimi i dashurisë së tij, feja fillimi i mbështetjes në Të. Gratë 17 Çdo plagë, por jo trishtimi i zemrës, çdo e keqe, por jo e keqja e gruas! 18 Çdo plagë, por jo plaga e zemrës, 19 çdo prapësi, por jo prapësia e gruas! 20 Çdo fatkeqësi, por jo fatkeqësia që vjen prej urryesit, 21 çdo hakmarrje, por jo hakmarrja prej armiqve! 22 S’ka helm më të keq se helmi i shlligzës, 23 S’ka hidhërim përmbi hidhërimin e gruas. Më fort pëlqen të banohet me luan e dragua se të banohet me grua të keqe. 24 Djallëzia e gruas ia ndërron fytyrën dhe ia ngrys faqen si ariut. Kur mes shokëve rri burri i saj, 25 ofshan i shkreti edhe padashur. 26 E vogël është çdo djallëzi krahas me djallëzinë e gruas: e gjettë fati i mëkatarëve! 27 Siç është përpjetja rënore për këmbët e plakut, e tillë është për burrin gruaja gjuhëmadhe. 28 Mos lejo të të joshë bukuria e gruas, e mos dëshiro çka ajo ka. 29 Mjerim i madh, turp e poshtërsi, 30 gruaja që merr epërsi mbi burrin e vet. 31 Shpirt i përulur, fytyrë e trishtuar e plagë në zemër është gruaja e keqe. 32 Duar të mekura e gjunj të këputur, gruaja që s’e bën të lum burrin e vet. 33 Prej gruas zuri fill mëkati e për faj të saj të gjithë vdesim. 34 Ujit mos i lër dalje, as më të voglën, as liri të flasë gruas së keqe. 35 Nëse nuk sillet sikurse i thua, do të të turpërojë ndër sy të armiqve; 36 ndaje prej trupit tënd dhe nise prej shtëpisë sate. 26 1 Lum burri i gruas së ndershme: numri i ditëve të tija i dyfishtë. 2 Gruaja e ndershme është gëzimi i burrit të vet dhe vjetët e jetës së tij i mbush në paqe. 3 Gruaja e mirë është pjesë e mirë e do ta kenë fat ata që e druajnë Hyjin: burri i mirë që i ka veprat e mira. 4 Si në qoftë pasanik si në qoftë skamnor, zemrën e ka mirë e fytyrën e ka gjithmonë të gëzueshme. 5 Nga tri gjëra trembet zemra ime e nga e katërta kam frikë: 6 Nga shpifja në qytet, kuvendi i vegjëlisë 7 dhe nga paditja e rreme: janë më të rënda se edhe vetë vdekja, 8 por edhe plasje zemre është e mjerim gruaja mendjezezë në një grua tjetër 9 dhe frushkullimi i gjuhës që rreh të gjithë. 10 Zgjedhë qesh që s’zë vend është gruaja e keqe, kush mendon ta sundojë, kap me dorë akrepin. 11 Gruaja që dehet hidhërim i madh e poshtërsi, turpi i saj s’mund të mbulohet. 12 Fëlligështia e gruas është në shikimin e saj të paturp e njihet në qerpikët e saj. 13 Mbi vajzën kryeneçe forcoje mbikëqyrjen, që të mos e shpërdorojë rastin e volitshëm. 14 Ruaj se të joshë syri i pandershëm që të mos çuditesh nëse të shpie në faj. 15 Porsi udhëtari i etshëm e hap gojën e pi çdo ujë që të ketë pranë, rri përbri çdo huri e çdo shigjete ia hap kukurrën deri në mbarim. 16 Gruaja e mirë dhe e kujdesshme gëzon burrin e vet, eshtrat ia forcon 17 dija e saj. Dhuratë e Hyjit 18 është gruaja e mençur e fjalëpakë: s’ka çmim për njeri të mirërritur. 19 Hir mbi hir gruaja e shenjtë dhe e turpshme: 20 s’ka çmim të denjë për njeriun që di të përmbahet. 21 Sikurse dielli që i lind botës në lartësitë e Hyjit, ashtu ndriçon bukuria e gruas në rregullimin e shtëpisë. 22 Si qiriu që ndriçon mbi shandanin e shenjtë, ashtu është bukuria e fytyrës në trup mirë të zhvilluar. 23 Shtylla të arta mbi baza të argjendta, të tilla janë këmbët e bukura mbi shputa të forta të gruas. 24 Themele të përheshme mbi qetën e gjallë, urdhërimet e Hyjit në zemrën e gruas së shenjtë. Gjëra të trishtueshme 25 Dy gjëra ma trishtojnë zemrën dhe e treta ma ndez hidhërimin: 26 kur luftëtarin e pret në pleqëri mjerimi, kur të urtin e përbuzin 27 e kur prej drejtësisë njeriu kthehet në mëkat: për këtë Hyji gati e ka shpatën. Tregtia 28 Dy veprime më duken të vështira e të rrezikshme: vështirë mund të nxirret tregtari nga faji edhe shitësi vështirë mund të jetë pa mëkat. 27 1 Për shkak të fitesës shumë mëkatojnë e kush kërkon të pasurohet nuk e pështyn dorën. 2 Sikurse huri ngulet ndërmjet gurëve, 3 ashtu ndërmjet shitjes e blerjes depërton mëkati. 4 Nëse s’e mban veten në frikën e Zotit, së shpejti do të përmbyset shtëpia jote. Fjala 5 Sikurse kur tundet shosha, mbesin zonat, kështu edhe mungesat e njeriut dalin në pah në të folur. 6 Enët e vorbëtarit i sprovon furra, njerëzit e drejtë i sprovon vuajtja. 7 Si u punua një pemë e dëftojnë frutat, kështu edhe fjala e zbulon mendimin e njeriut. 8 Para se të ketë folur askënd mos lavdëro: sepse të folurit është prova e njeriut. Drejtësia 9 Nëse e ndjek drejtësinë, patjetër do ta zësh dhe do ta veshësh porsi petk nderi, do të banosh me të, do të të mbrojë përgjithmonë dhe në ditën e provës në të do të gjesh mbështetjen e sigurt. 10 Zogjtë tubohen me të ngjashmit e vet dhe e vërteta kthehet tek ata që e shtinë në veprim. 11 Luani gjahut gjithmonë i rri në pritë, kështu edhe mëkatet atyre që bëjnë paudhësi. 12 Biseda e njeriut të përshpirtshëm flet përherë urti, kurse i patenzoni ndërrohet porsi hëna. 13 Mes njerëzve të pamend, ruaje kohën, mes njerëzve të urtë mos të dhimbet koha. 14 Biseda e të marrëve është e neveritshme, të qeshurit e tyre në kënaqësitë e mëkatit. 15 Biseda e atij që bën be shumë, të çon flokët e kokës e, kur të tillët grinden, bëjnë të mbyllim veshët. 16 Grindja e njerëzve krenarë mbaron me gjakderdhje e të sharat e tyre tmerr janë edhe të dëgjohen. Fshehtësitë 17 Kush zbulon fshehtësitë, humb besimin e mikut dhe s’do të gjejë më mik për vetvete: 18 Duaje mikun dhe mbaja besën; 19 por, nëse ia zbulon fshehtësitë e tija, s’ke pse i shkon më pas, 20 sepse, porsi ai që e ka bjerrë atë që i ka vdekur, ashtu e ke bjerrë miqësinë e të afërmit tënd, 21 e, porsi ai që e lëshon zogun prej dorës, ashtu e lë të shkojë të afërmin tënd, më s’do ta zësh. 22 Mos iu vër pas, sepse tashmë është shumë larg; vërtet shpëtoi porsi shuta prej lakut, sepse e plagosur është zemra e tij, 23 më s’do të jesh në gjendje ta lidhësh. Një nëmë e sharje ndoshta mund të pajtohet, 24 por, të zbulosh fshehtësitë e mikut, do të thotë ta këputësh krejtësisht shpresën. Hipokrizia 25 Kush bën në sy, trillon të keqen; kush e njeh, largohet prej tij. 26 Para syve të tu është gojëmbël dhe bisedat e tua e mallëngjejnë, por, pas syve, i ndërron fjalët e fjalët e tua i cilëson shkandull. 27 Shumë gjëra më neverisin, por jo sa ky njeri, por edhe Zoti të tillin e ka inat. 28 Kush hedh peshën përpjetë, mbi kokë i bie: edhe goditja me tradhti tradhtarin godet. 29 Kush gropën hap, vetë bie brenda, kush ia qet gurin të afërmit, vetë në të do të marrë në thua e kush ia ngeh tjetrit lakun, vet në të zihet. 30 Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. 31 Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në pritë si luani. 32 Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbjet do t’i shkrijnë. Hakmarrja 33 Hidhërimi dhe urrejtja njësoj janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. 28 1 Kush do të hakmarrje, do të gjëjë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. 2 Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. 3 Njeriu mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! 4 S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e lutet t’i falen mëkatet e tija?! 5 Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, dhe kërkon që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! 6 Të të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; 7 kujto shkatërrimin e vdekjen e mbaj urdhërimet. 8 Kujtoji urdhërimet e mos iu hidhëro të afërmit! 9 Kujto Besëlidhjen e të Lartit Zot e mos i jep rëndësi fyerjes që ta bën i afërmi. Grindjet 10 Ruaju grindjeve e do të mëkatosh më pak, sepse njeriu të hidhur flakë i ndez grindjet, njeriu mëkatar i turbullon miqtë e mes njerëzve që janë në paqe shtie armiqësi. 12 Si të jetë druri e pyllit ashtu ndizet edhe zjarri, sipas fuqisë së njeriut është edhe zemërimi i tij, zemërimi i rritet sipas kamjes së tij. 13 Grindja e shpejtë ndez zjarrin, grindja e shpejtë derdh gjak e gjuha therëse sjell vdekjen. 14 Nëse i fryn shkëndijës, ndizet e bëhet zjarr, nëse pështyn në të, ajo fiket: të dyja dalin nga goja jote. 11 Gjuha 15 Qoftë mallkuar ngacmuesi e shpifësi: shumë i humbën njerëzit që ishin në paqe! 16 Gjuha e tretë shumë i ka turbulluar dhe i ka dëbuar prej një populli në tjetër. 17 Rrënoi qytete të pasurish të rrethuara me mure dhe i rrafshoi shtëpitë e sundimtarëve. 18 Preu ushtritë e popujve, shkatërroi kombe të forta. 19 Gjuha e tretë i dëboi gratë e burrave e i la pa fryt të mundit të tyre. 20 Kush i vë vesh, nuk do të gjejë paqe as nuk do të gjejë mik, tek i cili të pushojë. 21 Goditja e frushkullit shkakton varrën, goditja e gjuhës thyen eshtrat. 22 Shumë ranë prej tehut të shpatës, por jo aq sa u humbën për shkak të gjuhës së vet. 23 Lum ai që di të ruhet prej saj, që nuk ra në hidhërimin e saj, që s’e sprovoi zgjedhën e saj e që s’u lidh në prangat e saja. 24 Vërtet zgjedha e saj është zgjedhë hekuri dhe prangat e saja janë pranga bronzi; 25 e tmerrshme është vdekja që ajo sjell, më e dobishme Nëntoka se ajo. 26 Por ajo s’ka pushtet mbi njerëzit e drejtë dhe s’do të digjen në flakën e saj. 27 Në thonj të saj bien ata që e lënë Hyjin, në ta do të ndizet flakë e do të djegë, kundër tyre do të sulet porsi luani, do t’i lëndojë porsi leopardi. 28 Thuri me ferra veshët e tu, mos e dëgjo gjuhën e mbrapshtë, gojës sate vëri derë e shula. 29 Arin tënd e argjendin tënd vulose mirë, pesho mirë fjalët e tua dhe vëri gojës sate frerë të drejtë. 30 Kujdes të mos biesh për shkak të gjuhës, të mos rrëzohesh ndër sy të armiqve që vënë prita e të jetë rënia jote e pashërueshme, për vdekje. Huaja 29 1 Kush e vë në veprim mëshirën, i huazon të afërmit e kush ndihmon me dorë të vet, i mban urdhërimet. 2 Huazoji të afërmit kur është në nevojë e prapë, ktheji të afërmit në kohën e caktuar. 3 Mbaja fjalën e ji besnik e në çdo kohë do të gjesh çka ke nevojë. 4 Shumë e çmojnë huanë si një gjë të gjetur e u sjellin hidhërim atyre që u ndihmuan. 5 Deri sa ta marrë huanë, puth duart e dhënësit dhe me përvujtëri flet për pasurinë e të afërmit, 6 por në kohën e kthimit e shtyn afatin, s’pushon duke u ankuar e nynykatur e fajin ia lë rrethanave të kohës. 7 Nëse ka me se të kthejë, bën kundërshtime; mezi kthen gjysmën e gjësë dhe e çmon si një gjë të gjetur. 8 Përndryshe ia han paret e kështu e bën atë armik pa nevojë. 9 Ia kthen me të shara e me nëmë dhe, në vend të falënderimit, ia kthen me fyerje. 10 Shumë nuk huazojnë jo prej zemrës së keqe, por tremben se kot së koti do të plaçkiten. Lëmosha 11 Megjithëkëtë, ji dorëdhënë me të mjerin e mos e lër të presë tepër gjatë lëmoshën tënde. 12 Për arsye të urdhrit ndihmoje skamnorin dhe sipas nevojës së tij, mos e nis duarthatë. 13 Hidhi paratë për dashuri të vëllait e të mikut e mos i fsheh të prishen nën gur. 14 Vëre visarin tënd në urdhërime të Tejetlartit e do të të dalë më i dobishëm se ari. 15 Mbylle lëmoshën tënde në zemrën e skamnorit dhe kjo do të shpëtojë prej të gjitha të këqijave. 16 17 18 Më fort se shqyti i fortë e se heshta e rëndë do të luftojë për ty kundër armikut tënd. Dorëzania 19 Njeriu i mirë hyn dorëzanë për të afërmin e vet, kush e ka humbur turpin e lë pa i hyrë dorëzanë. 20 Mos ia harro nderën dorëzanit, sepse e ka dhënë shpirtin e vet për ty. 21 22 Mëkatari i shkon kottë mirat e dorëzanit njeriu i panjerëzishëm e harron shpëtuesin e vet. 23 24 Dorëzania i ka fikur shumë njerëz të mirë dhe i ka tronditur porsi valët e detit. 25 I ka nxitur prej shtëpie shumë njerëz të pasur dhe u endën nëpër popuj të huaj. 26 Mëkatari që i shkel urdhërimet e Zotit bie në gabimin e dorëzanisë e pse synon të nxjerrë ndonjë dobi, bie në duar të gjykatësit. 27 Hyr dorëzanë për të afërmin tënd sipas kamjes sate, por kujdesohu që edhe ti të mos sharrosh. Mikpritja 28 Të domosdoshmet themelore të jetës së njeriut janë: uji, buka, veshja dhe shtëpia për të mbuluar lakuriqësinë e turpshme. 29 Më i mirë është ushqimi i skamnorit nën pullaz skublash, se gostitë e shkëlqyeshme në shtëpi të huaj. 30 Ji i kënaqur me pak o me shumë e s’do ta sporvosh përbuzjen e endacakut. 31 Jetë e keqe të endesh nga një shtëpi në tjetrën e, kudo të ndalesh, s’guxon të hapësh gojë as s’do të kesh besim. 32 Do të pranohesh për mik, do të hash e do të pish, por pa nderim e për më tepër do të dëgjosh fjalë të hidhura: 33 “Çohu, or mik, e shtroje tryezën e, nëse ke ndonjë gjë nëpër dorë, më jep të ha”! 34 “Dil se më ka ardhur një më i nderueshëm! Ma lësho shtëpinë se ka nevojë për banim im vëlla”! 35 Të rënda të gjitha këto për një njeri të mençur: poshtërimi për mikpritje e turpërimi për huadhënie. Edukimi 30 1 Për fëmijë. Kush e do djalin e vet, nuk i kursen thuprat me qëllim që një ditë të gjejë gëzim në të. 2 Kush e edukon si duhet djalin e vet, do të ketë dobi prej tij, e do të mund të lavdërohet ndër të njohurit e vet. 3 Kush e mëson mirë djalin e vet, e bën smirëzi armikun e vet. 4 Nëse i vdes i ati, është si të mos ketë vdekur: e lë djalin porsi veten. 5 Gjatë jetës së vet kënaqet duke e shikuar e ditën e vdekjes nuk sprovon shqetësim. Nuk pati pse t’i vijë turp para armiqve 6 sepse e la mbrojtësin e shtëpisë së vet kundër armiqve e atë që di t’ua kthejë nderin miqve. 7 Kush e përkëdhel djalin, do t’ia lidhë plagët e në çdo ofshamë të tij zemra do t’i copëtohet. 8 Kali i pamësuar bëhet tekanjoz e djali i përkëdhelur bëhet kokëfortë. 9 Llastoje djalin e do të të shtijë frikën, luaj me të e do të të trishtojë. 10 Mos qesh me të nëse dëshiron të mos qash me të e në fund të kërcashësh me dhëmbë. 11 Mos i jep tepër liri në rini e mos i nënçmo gabimet e tija. 12 Ulja zverkun e tij sa është i ri, shkundja ijet e tij sa është ende i vogël që të mos ngurohet për së tëpërmi e të mos të besojë e zemra do të sporvojë dhimbje për shkak të tij. 13 Edukoje djalin e ki kujdes për të që të mos heqësh keq e të turpërohesh për shkak të tij. Shëndeti 14 Më mirë skamnor i shëndoshë e plot fuqi se i pasur e i dobët e i pashëndet. 15 Shëndeti i shtatit është më i mirë se çdo ar e argjend dhe trupi i fuqishëm se pasuria e madhe pa masë. 16 S’ka pasuri më të madhe se pasuria e shëndetit të trupit dhe s’ka gëzim më të madh se gëzimi i zemrës. 17 Më e mirë është vdekja se jeta e hidhur dhe pushimi i pasosur se sëmundja e gjatë. 18 Ushqimet e mira para gojës së mbyllur janë porsi gostitë e shtruara para varrit. 19 Çka i vlen flia e njomjes idhullit? Sepse as s’e ha as nuk i merr erë: 20 po ashtu edhe ai që e përndjek Zoti, duron pagën e paudhsisë: 21 shikon me sy e ofshan si tredhaku që përqafon vajzën e ofshan. Gëzimi 22 Mos iu shtro trishtimit të zemrës sate e mos i shtjer trazim vetes me mendime të tua. 23 Gëzimi i zemrës është jetë për njeriun, visar i pashtershmëm i shenjtërisë e kënaqja e njeriut jeta e gjatë. 24 Mos e shqetëso shpritin tënd e gëzoje zemrën tënde, larg prej teje flake trishtimin. 25 Shumëkënd e ka vrarë trishtimi e ai nuk sjell asnjë dobi: 26 smira e zemërimi i shkurtojnë ditët e kujdesjet e tepruara plakin para kohe. 27 Zemra e kthjellët e shijon ushqimin, ushqimi që merr i bën mirë. Pasuritë 31 1 Kujdesi i pasanikut trupin ia shkatërron, mendimet e tija gjumin ia humbasin. 2 Kujdesi për jetesë e humb gjumin porsi sëmundja e rëndë që s’lë të flihet. 3 Pasaniku lodhet duke bashkuar kamjen e, kur pushon, i gëzon të mirat. 4 Skamnori lodhet pse s’ka me se të jetojë e, nëse pushon, bie në skamje. Kush jepet pas arit, pa mëkat s’mbetet, e kush vrapon pas fitimit, për shkak të tij do të birret. 6 Shumë janë bjerrë për shkak të arit e rrënimi i tyre ishte përpara tyre. 7 Është lak për ata që jepen pas tij, të mjerët ata që jepen pas tij: çdo i pamend bie në kurth të tij. 8 Lum pasaniku që është i patëmetë, që s’jepet pas arit e që s’e vë shpresën në pare e në visare. 9 Kush është ky se duam ta lavdërojmë! Sepse ka bërë vepra të mrekullueshme në popullin e vet. 10 Kush qe sprovuar në të e mbeti i përsosur? Lavdia e tij do të jetë e përhershme. Ai që mundi të mëkatojë e nuk mëkatoi, të bëjë të keqen e nuk e bëri? 11 Ai i ka të sigurta të mirat e veta në Zotin dhe lëmoshat e tija do t’i tregojë mbarë bashkësia e shenjtërve. 5 Gostitë 12 Përkorja. U ule në sofër të begatshme? Mos e hap grykën tënde më i pari. 13 Mos thuaj: “Se ç’mbushulli në tryezë!” 14 Të bjerë ndër mend se është e keqe e madhe syri i uritur: në iri e ka Zoti syrin e uritur. 15 Çka ka qenë krijuar më e keqe se syri? Së këndejmi edhe loton në çdo rrethanë. 16 Ku shikon tjetri mos e shtrij i pari dorën, që i përlyer me lakmim të mos turpërohesh 17 e të mos ndeshesh me të në pjatë. 18 Gjykoji kërkesat e të tjerëve sipas të tuave dhe ji i vëmendshëm në çdo veprim. 19 Ha me njerëzi çka të jetë vënë përpara dhe mos ji grykës e të bëhesh për gjithkënd i neveritshëm. 20 Për hir të njerëzisë lëre i pari e mos tepro me të ngrënë, që të mos japësh shkandull. 21 Nëse rri mes shumë të ftuarve, mos e shtrij dorën para tyre dhe mos kërko i pari të pish. 22 Pak verë është e mjaftueshme për njeriun e edukuar! Do të flesh pa veshtirësi e s’do të kesh dhimbje. 23 Grykësi s’mund të flejë ka heqje barku e dhimbje; 24 gjumë të shëndetshëm ka njeriu i përkorë: fle deri në mëngjes dhe shpirti i tij zgjohet i kënaqur, plot shëndet. 25 Por, nëse t’u desh të hash për së tepërmi, çohu e vill e do të ndjehesh më mirë dhe s’do t’i shkaktosh trupit sëmundjen. 26 Më dëgjo, bir, e mos ma përbuz mësimin, e një ditë do t’i kuptosh fjalët e mia. 27 Në të gjitha veprat e tua ji i matur dhe s’do të të gjejë asnjë sëmundje. 28 Buzët e shumëkujt e lëvdojnë bujarin në pritje dhe e përhershme mbetet dëshmia e bujarisë së tij, 29 kurse koprracin në pritje e qorton mbarë qyteti dhe s’harrohet zëri i koprracin së tij. Vera 30 Verës mos i shit trimëri, sepse shumë i ka humbur vera. 31 Furra e sprovon brumin e çelikut: kështu edhe vera zemrat e krenarëve në grindje. 32 Vera është jetë për njeriun nëse e pi me përkore. 33 Çfarë jete ka ai që s’e përdor verën? 34 Çka e dëmton jetën? Vdekja. 35 Vera qe krijuar për të gëzuar zemrën e jo për t’u dehur, kurrsesi. 36 Galdim për shpirt, gëzim e kënaqje e zemrës vera e pirë me masë e me kohë: 37 pija me përkore është shëndeti i shpirtit e i trupit. 38 Vera e pirë për së tepërmi sjell shqetësim, hidhërim e rrënime të mëdha. 39 Hidhërim zemre vera e pirë për së tepërmi me shqetësime e me rrënime. 40 Dehja e shton frymën e të pamendit për të fyer, dobëson fuqinë e sjell plagë. 41 Në pirje mos e prek të afërmin dhe mos e përbuz kur është qefli, 42 mos i thuaj fjalë të rëndë as mos i kërko të të kthejë detyrimet. Gostitë 32 1 Të kanë vënë prijës të tryezës? Mos u kreno, sillu ndër ta si çdokush prej tyre. 2 Kujdesu njëherë për ta e atëherë ulu. Pasi t’i kesh kryer të gjitha detyrat e tua, ulu 3 që të gëzohesh për shkak të tyre e ta marrësh kezën për arsye të mirësjelljes e ta fitosh çmimin e të bashkëftuarve. 4 Fol, plak, se të ka hije, 5 fjala e parë me urti të peshuar, por mos e pengo muzikën. 6 Në gosti mos u zbraz në bisedë e në kohë të papërshtatshme mos u hap në urti. 7 Vulë guri të paçmueshëm në unazë ari është koncerti i muzikës në gosti me verë; 8 çka është shenja e smeraldit në një stoli ari është muzika e shijshme në gosti të gëzueshme e të matur vere. 9 Dëgjo në heshtje e, pse i nderon të tjetët, do të gjesh nderim edhe për vete. 10 Fol, djalosh, vetëm për çështjen tënde, 11 por vetëm nëse dy herë pyetesh. 12 Fol shkurtimisht, e thuaj me pak fjalë shumë, sillu si ai që di e hesht. 13 Kur të jesh me bujarë, mos u barazo me ta, e, ku janë pleqtë, mos fol shumë. 14 Para gjëmës së motit vjen vetëtima, para budallallëk vjen hiri i sjelljes. 15 Në kohë të të ngriturit çohu e mos rri i fundit, mësyj shtëpinë e mos u vono, aty bëj ç’dëshiron e luaj, 16 bëj çka të pëlqen e mos mëkato me fjalë krenarie. 17 Përmbi të gjitha bekoje Zotin që të krijoi e që të mbushi me të gjitha të mirat e veta. Druajtja e Zotit 18 Kush e druan Zotin e pranon mësimin, ata që e kërkojnë, e gjejnë bekimin. 19 Kush e kërkon Ligjin do të shpërblehet prej tij, por shtiracaku do të shkandullohet në të. 20 Kush e druan Zotin, do ta gjejë drejtësinë, veprat e tija të mira do të ndriçojnë si drita. 21 Njeriu mëkatar s’e pranon qortimin dhe gjen përligjime sipas hamendjes së vet. 22 Njeriu i arsyeshëm s’e përbuz qortimin me vend, i mbrapshti e krenari s’ndjen asnjëlloj frike. 23 24 Bir, mos bëj asgjë pa e menduar mirë përpara e s’do të pendohesh më vonë. 25 Mos ec udhëve të rrezikshme që të mos marrësh në thua në gurë. Mos i beso udhës së panjohur, që të mos i vësh lak jetës sate. 26 Ruaju edhe prej fëmijëve të tu, ki kujdes edhe prej shtëpiakëve të tu. 27 Në çdo veprim tënd ki besim në shpirtin tënd: sepse edhe kjo është mbajtje e urdhërimeve të Zotit. 28 Kush i beson Ligjit, i mban urdhërimet dhe kush ka besim në Zotin, s’do të pësojë dëm. 33 1 Kush e druan Zotin nuk e gjen asnjë e keqe dhe Hyji e shpëton nga prova dhe e çliron nga të këqijat. 2 I urti nuk i përbuz urdhërimet as drejtësinë e nuk përplaset si anija në stuhi. 3 Njeriu i mençur i beson fjalës së Hyjit dhe i beson Ligjit porsi profecisë. 4 Bëje gati fjalimin e do të dëgjohesh, përmblidhe dijen tënde e atëherë përgjigju. 5 Ndjenjat e të marrit porsi rrota e qerres, arsyetimi i tij si boshti që sillet. 6 Kalë i patredhur është miku përqeshës: hingëllon kushdo t’i kërcejë në shpinë. Pabarazia 7 Pse një ditë është më e shquar se tjetra në qoftë se gjatë vitit i ndriçon drita e diellit? 8 Dija e Zotit i ka veçuar disa 9 dhe i ka ndarë stinët e vitit e festat. 10 Disa Hyji i ka lartësuar e madhëruar e të tjerat i ka renditur në ditë të thjeshta. Të gjithë njerëzit janë prej dheut, edhe Adami qe krijuar prej dheut. 11 Por Zoti i ka dalluar në dijen e vet të pakufi, u ka caktuar fate të ndryshme: 12 disa prej tyre i bekoi e i lartësoi, disa i shenjtëroi dhe i veçoi për vete, disa të tjerë i mallkoi dhe i mposhti dhe i dëboi nga vendi i tyre. 13 Siç është balta në duart e vorbëtarit të cilës i jep trajtën sipas vullnetit të vet, 14 ashtu është edhe njeriu në dorën e Krijuesit: bën me të sipas mendimit të vet. 15 Përballë të keqes qëndron e mira e përballë vdekjes është jeta kështu edhe përballë njeriut të drejtë mëkatari. Kështu shikoj edhe të gjitha veprat e Zotit: të gjitha dy e dy njëra përballë tjetrës. 16 Unë u zgjova ndër të fundit dhe jam si ai që mbledh kokrra pas vjelësve, 17 por ia dola, me bekimin e Hyjit, dhe e mbusha shtrydhësin barazi si vjelësit. 18 Vëni re se s’u mundova vetëm për vete, por për të gjithë ata që e kërkojnë mësimin. 19 Deh, më dëgjoni, o sunduesit e popullit, vëni vesh, o drejtuesit e bashkësisë! Pavarësia 20 Sa të jesh gjallë mos i jep pushtet mbi vete as djalit as gruas, as vëllait as mikut; as mos e jep pasurinë tënde që të mos pendohesh e ta kërkosh të kthehet mbrapsht. 21 Deri sa të jesh gjallë e të marrësh frymë, mos i jep askujt pushtet mbi vetvete: 22 është më mirë që fëmijët të luten ty se ti t’u shtrish dorën fëmijëve të tu. 23 Në të gjitha veprat e tua ji zot i vetes 24 e mos lejo të njolloset me asnjë njollë nderi yt. Kur të jenë duke marrë fund ditët e jetës sate, ditën e vdekjes sate ndaje trashëgimin tënd. Skllevërit 25 Tagji, dajak e barrë për gomarin, bukë, shtrëngim e punë për skllavin. 26 Fute shërbëtorin në punë e ti pusho; pushoja krahët atij e do të kërkojë lirinë. 27 Zgjedha e freri e ulin qafën, kurse skllavin e përvë puna e vazhdueshme. 28 Skllavit të padëgjueshëm dru e pranga, çoje në punë e të mos dembeloset: 29 shumë mbrapshti i mësoi përtacia. 30 Fute në punë, sepse kështu atij i ka hije, nëse nuk dëgjon, shtroje në pranga, por pa tepruar kundër askujt dhe mos bëj asgjë padrejtësisht. 31 S’ke por një skllav? Le të jetë si një tjetër ti, sepse do të kesh nevojë për të si për vete. S’ke veç një skllav? Sillu me të si me vëllanë, e mos u hidhëro në gjakun tënd. 32 Nëse e lëndon pa të drejtë, e bën të marrë ikjen 33 e, nëse ngrihet e ikën, s’do të dish cilës udhë të shkosh për ta kërkuar. Ëndrrat 34 1 Shpresa e kotë dhe gënjeshtare janë për njeriun e marrë e ëndrrat u japin krahë të pamendëve. 2 Si ai që kap hijen ose e dëbon vrap erën, ai që u beson ëndrrave. 3 Kjo pas asaj është të parët e ëndrrave: përballë një fytyre një fytyrë e ngjashme. 4 Nga e papastërta si mund të dalë e pastërta? E nga gënjeshtra si mund të dalë e vërteta? 5 Falle, shpatulla e ëndrra janë punë kote 6 e, porsi gruas në lindje, mendja bien në kllapi. Nëse i Tejetlarti nuk i dërgon si zëdhënës, aspak mos vra vesh për to. 7 Ëndrrat shumë njerëz i kanë çuar në gabim dhe sharruan ata që shpresuan në to. 8 Ligji duhet zbatuar pa gënjeshtra e urtia është përsosje në gojën që flet të vërtetën. Udhëtimet 9 Kush ka udhëtuar shumë, shumë edhe di, e kush ka përvojë të madhe, flet me urti. 10 Kush s’ka sprovuar asgjë, pak di, e kush ka udhëtuar shumë, e ka shtuar mprehtësinë. 11 12 Shumë gjëra i kam parë në udhëtime edhe shumë gjëra i mësova; 13 Shpeshherë qeshë në rrezik vdekjeje, por, në saje të përvojës, gjeta shpëtim. 14 Shpirti i atyre që e druajnë Zotin do të jetojë dhe në saje të tij do të gjejë bekim. 15 Shpresa e tyre është në Atë që i shpëton dhe sytë e Zotit janë mbi ata që e duan. 16 Kush e druan Zotin asgjë s’do të ketë frikë, nuk do të trembet sepse Ai është shpresa e tij. 17 I lum është shpirti i atij që e druan Zotin. 18 Në kë mbështetet? Kush është fuqia e tij? 19 Sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë: mbrojtje e fuqishme, mbështetje e patundshme, strehim nga era e zjarrtë, nga vapa e diellit të mesditës, 20 mbrojtje në pengesa, ndihmë në rrëzim, ngritës i shpirtit e ndriçues i syve, dhënës i shëndetit të jetës e i bekimit. 21 Zoti është e vetmja ndihmë për ata që shpresojnë në të, udhës së vërtetës e të drejtësisë. Flitë 22 Kush flijon çka padrejtësisht fitoi, flijon kusht të njollosur, po edhe flitë e të padrejtëve nuk pëlqehen. 23 I Tejetlarti s’i kërkon flitë e të paudhëve, as s’i shikon kushtet e keqbërësve, as nuk ua fal mëkatet pse kushtojnë fli të shumta. 24 Kush kushton fli nga kamja e skamnorëve bën porsi ai që vret djalin në sytë e të atit. 25 Buka e nevojtarëve është jeta e skamnorëve, kush ua merr është gjakësor. 26 E vret të afërmin ai që ia merr ushqimin e djersës, gjak derdh kush ia ha mëditësit pagën. 28 Njëri ndërton e tjetri rrënon: ç’tjetër dobi përveçse mundit? 29 Njëri lutet e tjetri mallkon: zërin e cilit do ta vështrojë Zoti? 30 Atij që e preku të vdekurin e pastaj u la, nëse prapë e prek, ç’i vlejti ajo larje? 31 Kështu i ndodh edhe njeriut që agjëron për mëkatet e veta e pastaj shkon e vazhdon t’i bëjë të njëjtat. Kush do ta marrë para sysh lutjen e tij? Ç’përfitim ka nëse e mundoi vetveten? 27 Ligji e flitë 35 1 Kush e mban Ligjin, i shumëzon kushtet: 2 fli shpëtimprurëse është zbatimi i urdhërimeve. 4 Kush është mirënjohës, kushton enzën e miellit, kush bën lëmoshë, kushton flinë e falënderimit. 5 Sendi që i pëlqen Zotit është ikja nga e keqja e lutje për faljen e mëkateve është ikja nga padrejtësia. 6 Mos dil para Zotit me duar thatë: 7 kjo kërkohet prej urdhërimeve të Hyjit. 8 Kushti i të drejtit e pasuron lterin dhe era e këndshme e tij arrin para të Tejetlartit. 9 E pëlqyeshme është flia e njeriut të drejtë, kujtimin e saj nuk do ta harrojë Zoti. 10 Me zemër të gëzueshme jepi lavdi Hyjit, e mos i zvogëlo frytet e para që kushton. 11 Në kushtim të dhuratave le të shndritë fytyra prej gëzimit dhe plot galdim kushtoji të dhjetat e tua. 12 Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate, 13 sepse Zoti s’lë pa shpërblyer, madje shtatëfish aq Ai do të të kthejë. Drejtësia hyjnore 14 Mos u mundo ta thyesh me dhurata, sepse nuk do t’i pranojë kurrsesi; 15 as mos shpreso nga flia e padrejtë, sepse Zoti është gjykatës e krahmbajtje tek Ai nuk ka. 16 Nuk ia mban kujt krahun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon lutjen e të nënpërkëmburit. 17 Nuk e përbuz lutjen e bonjakut as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet. 18 Vallë, a s’zbresin lotët e vejushës nëpër faqe, a nuk bie britma e saj mbi atë që i shkaktoi? 19 Prej mollëzës ngjiten deri në qiell dhe Zoti shpagues nuk kënaqet në to. 20 Kush e adhuron Zotin, do të pranohet me kënaqje, dhe lutja e tij do të arrijë deri në re. 21 Lutja e të përvuajturit i përshkon retë dhe, nuk do të ndalet deri sa të arrijë, nuk do të zbresë deri sa t’i dalë para të Tejetlartit, atëherë Gjykatësi i drejtë do të bëjë drejtësi. 22 Zoti nuk do të vonojë dhe i Gjithpushtetshmi nuk do ketë duresë deri sa ta ketë shtypur shpinën e të dhunshmëve, 23 t’u hakmerret paganëve, deri sa ta ketë zhdukur shumicën e krenarëve, deri sa t’i ketë dërrmuar skeptrat e tiranëve; 24 deri sa t’i shpaguajë njerëzit sipas veprave të tyre, veprat e njerëzve sipas qëllimeve të tyre, 25 deri sa t’i ketë dhënë drejtësi popullit të vet dhe ta gëzojë me mëshirën e vet. 26 E mrekullueshme është mëshira në ditën e vështirësisë porsi reja plot shi në kohën e të thatit. Lutje për çlirimin e rilindjen e Izraelit 36 1 Ki mëshirë për ne, o Hyji i gjithësisë, lëshoje shikimin tënd mbi ne dhe na e trego dritën e mëshirave të tua 2 dhe përshkoji me frikën tënde të gjithë paganët që nuk të kërkojnë ty, me qëllim që ta kuptojnë se s’ka tjetër Hyj përveç Teje e t’i shpallin veprat e madhërishme të tuat. 3 Ngrije dorën tënde mbi kombet e huaja që ta shohin pushtetin tënd. 4 Sikurse në sytë e tyre na u dëftove neve i shenjtë, ashtu në sytë tanë dëftohu i madh ndaj tyre, 5 që ta kuptojnë, siç e kuptuam edhe ne, se s’ka tjetër Hyj përveç teje, o Zot. 6 Përtërij shenjat e përsëriti mrekullitë, 7 jepi lavdi dorës dhe forcoje krahun e djathtë, 8 zgjoje zemërimin e flakë ndize hidhërimin, 9 shtroje kundërshtarin e zhduke armikun! 10 Shpejto kohën e mos e harro synimin e amshueshëm e le të përmenden mrekullitë e tua. 11 Le ta përpijë flaka e hidhërimit atë që mundohet të shpëtojë e le të sharrojnë të gjthë ata që e marrin me të keq popullin tënd. 12 Thërmoje kokën e princave të armikut që thonë: “Përveç nesh s’është askush tjetër”! 13 Bashkoji të gjitha fiset e Jakobit, ktheju pronat si në fillim. 14 Ki mëshirë për popullin tënd që quhet me emrin tënd, për Izraelin që e bëre të parëlindurin tënd. 15 Kij dhimbje për Qytetin tënd të shenjtë, për Jerusalemin, vendin e pushimit tënd. 16 Mbushe Sionin me madhërinë tënde e me lavdinë tënde Tempullin tënd. 17 Jepu dëshmi krijesave të tua të para, plotësoji parakallëzimet e thëna në Emrin tënd. 18 Shpërbleji ata që shpresojnë në ty, që të vërtetohen fjalët e profetëve të tu. Dëgjoji lutjet e shërbëtorëve të tu 19 sipas mirësisë sate për popullin tënd. Na drejto udhës së drejtësisë që ta dinë të gjithë banuesit e tokës se ti je Hyji i amshueshëm. Ndryshimet 20 Lukthi bluan çdo ushqim, megjithatë një ushqim është më i mirë se tjetri; 21 qiellza e dallon me shije egërsirën e mendja e kthjellët fjalët e rreme. 22 Zemra e keqe shkakton trishtim, por njeriu me përvojë di si duhet kthyer. Zgjedhja e gruas 23 Gruaja pranon çdo burrë, por njëra vajzë është më e mirë se tjetra. 24 Bukuria e gruas e gëzon fytyrën e burrit të vet, dhe i tejkalon të gjitha dëshirat e njeriut. 25 Po nëse përveç kësaj ka edhe gjuhë të kujdesshme, të ëmbël e të mëshirshme, burri i saj s’është si një vdekatar i thjeshtë. 26 Kush e ka gruan e mirë, ka më të madhen pasuri, ndihmë të përshtatshme e shtyllë mbështetëse. 27 Ku nuk ka gardh, vreshti vidhet, kush nuk ka grua, është endacak i trishtuar. 28 Kush i beson atij që s’e ka çerdhen e vet dhe strehohet aty ku e zë nata, si cubi i shkathët që endet nga qyteti në qytet? Miqtë e rremë 37 1 Çdo mik thotë: “Edhe mua më ke mik!”, por ka mik që është i tillë vetëm me emër. Vallë, a s’është trishtim që i afrohet vdekjes, 2 kur shoku dhe miku të shndërrohet në armik? 3 O prirje e keqe, nga e krijove, për të mbuluar terikun me të keqe e me dredhi? 4 Shoku i gëzohet mikut në mirëqenie, kurse në ditë të vështirë i bëhet kundërshtar. 5 Shoku bashkëvuan me mikun për shkak të barkut, por përballë luftimit merr mburojën. 6 Mos e harro mikun e zemrës sate dhe mos e harro kur të bëhesh i pasur. Këshilltarët 7 Mos u këshillo me atë që të vë pritë, fshehe synimin tënd prej atij që ta ka smirë. 8 Çdo këshilltar jep këshilla, por ka këshilltar që këshillon për të mirën e vet. 9 Ruhu prej atij që të jep këshilla, më parë heto ç’nevojë mund të ketë - sepse ai jep këshillë në interes të vet10 ndoshta ta ka vënë syrin e të thotë: 11 “Je udhës së drejtë!”, e rri kundruall për të parë çka do të ndodhë. 12 Mos u këshillo me njeri smirëzi, e prej atij që ta ka smirë, fshehe synimin tënd; as me gruan për rivalen e saj, as me frikacakun për luftë, as me tregtarin për tregti, as me blerësin për shitje, as me të ziliqarin për mirënjohje, 13 as me të patenzonin për përshpirtëri, as me të pandershmin për nder, as me përtacin për veprimtari, 14 as me mëditësin vjetor për mbarimin e vitit, as me shërbëtorin përtac për veprimtari të madhe: mos u mbështet në ta për asnjë këshillë. 15 Por vazhdimisht qëndro me njeri të përshpirtshëm, me atë që e di se i mban urdhërimet, 16 shpirti i të cilit është si shpirti yt e që, kur të mbetësh në errësirë, t’i dhimbsesh. 17 Ndiqe me ngulm këshillën e zemrës sate, sepse s’ke askënd më besnik se atë. 18 Shpeshherë ndërgjegjja e njeriut i përkujton të vërtetën më mirë se shtatë vrojtarë që vëzhgojnë nga pirgu i lartë. 19 E mbi të gjitha lutju të Tejetlartit që ta drejtojë udhën tënde në të vërtetën. Urtia e vërtetë dhe e rreme 20 Para çdo vepre: fjala e vërtetë e para çdo pune: shqyrtim i palëkundshëm. 21 Rrënja e këshillit është zemra nga e cila dalin katër dega: e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja, kurse gjuha është zotëruesja e tyre vazhdimisht. 22 Ka njeri - mësues të ditur për të tjerët, por krejtësisht të padobishëm për vetvete. 23 Prapë, një tjetër është fjalëmbarë, por i neveritshëm: të tillit do t’i mungojë edhe buka e gojës, 24 sepse nuk i ka qenë dhuruar hiri prej Zotit dhe i mungon urtia në përgjithësi. 25 Ka edhe të urtë për vetvete dhe fryti i mençurisë së tij mbetet mbi të. 26 I urti e mëson popullin e vet, frytet e mençurisë së tij janë të sigurta. 27 I urti mbushet me bekime dhe të gjithë ata që e shohin, e shpallin të lum. 28 Jeta e njeriut i ka ditët e numëruara, ndërsa ditët e Izraelit janë të panumërta. 29 I urti fiton besim në popullin e vet dhe emri i tij do të jetojë përgjithmonë. Përkorja 30 Bir, sa të jesh gjallë vëre në provë jetën tënde e shiko çfarë i bën dëm: mos ia jep! 31 Jo të gjitha të gjithëve u bëjnë mirë dhe jo secilit njeri gjithçka i pëlqen. 32 Mos ji grykës në asnjë gjë që të ka shije dhe mos u sul me grykësi në asnjë ushqim, 33 sepse ushqimi i tepërt shkakton sëmundje, papërkorja shkakton lëbarken. 34 Për shkak të grykësisë shumë vdiqën, kurse kush përmbahet, e zgjat jetën. Ilaçet e sëmundja 38 1 Nderoje mjekun siç i takon, sepse edhe atë e ka krijuar i Tejetlarti. 2 Prej të Tejetlartit ai e ka dijen edhe prej mbretit ai merr dhurata. 3 Dija e mjekut ia lartëson kokën dhe lavdërohet para të mëdhenjve. 4 I Tejetlarti nga toka i krijoi ilaçet e njeriu i mençur nuk i ka inat. 5 A nuk u ëmbëlsua nga druri uji i hidhur, 6 që njerëzit ta pranonin fuqinë shëruese të saj? Vet i Tejetlarti u dha dije njerëzve që të lavdërohej me mrekullitë e veta. 7 Me to bëhen shërime e zbuten dhimbjet, barnatari bën përzirje barnash e kështu s’ka mbarim për veprat e tija: 8 kështu hapet shëndeti mbi fytyrën e tokës. Bir, në sëmundjen tënde mos ji i prishur, por lutju Zotit e ai do të shërojë. 10 Largohu së keqes, pastër ruaji duart, nga çdo mëkat pastroje zemrën tënde. 11 Kushto fli të erëndshme, kusht ende dhe dhuratë të majme sipas pasurisë sate. Por jepi vend edhe mjekut, 12 sepse edhe atë Zoti e krijoi, mos lejo të të largohet, sepse edhe vepra e tij është e domosdoshme. 13 Ka raste kur shërimi është në dorën e tyre. 14 Po, edhe ata i luten Zotit që t’i drejtojë në njohjen e vërtetë e ta shpejtojë shërimin. 15 Kush mëkaton para Krijuesit të vet, rëntë në duar të mjekut! 9 Zia 16 Bir, derdh lot mbi të vdekurin dhe, si ai që pëson shumë, nise gjëmën, varrosja trupin sipas zakonit të vendit dhe mos ia moho nderimet e varrimit. 17 Hidhur qaj e thekshëm vajto 18 dhe mbaja zinë sipas meritës së tij, një ditë ose dy për shkak të fjalëve të shekullit e pastaj ngushëllohu nga trishtimi yt. 19 Sepse nga trishtimi vrapon vdekja, trishtimi i zemrës zbut fuqitë. 20 Në tërheqje në vete qëndron trishtimi e jeta në skamje mallkimi i zemrës. 21 Mos e lësho zemrën tënde në trishtim, por dëboje trishtimin e mendoje mbarimin tënd. 22 Dhe mos harro: ai më nuk kthehet, atij gjë s’i ndihmon, e veten e dëmton. 23 Mendo fatin e tij që do të jetë edhe yti: dje për mua, sot për ty! 24 Kur i ndjeri pushon, le të pushojë edhe kujtimi i tij, dhe ngushëllohu kur t’i ketë dalë shpirti. Puna e dorës 25 Dija e skribit vjen nga koha e tij, kush është i lirë nga puna, mbushet me dije. Ç’dije mund të fitojë 26 ai që mban parmendën, që të tërë nderin e ka në thumbin e hostenit? Nget qetë e merret me punën rreth tyre e i takon të flasë vetëm për viça. 27 Mendjen e ka të zënë për të bërë hulli e rri zgjuar për të ushqyer mëzetërit. 28 Po kështu edhe punëtorët e mjeshtrat, që u kalon nata si dita: ata që gdhendin gdhendje për vula dhe kujdesi më i madh për të ndryshuar figurat: vrasin mendjen për të punuar mirë vizatimin e rrinë zgjuar për të kryer punën. 29 Kështu edhe farkëtari qëndron përbri kullës dhe tërë kujdesin e ka për të punuar hekurin; avulli i zjarrit ia djeg mishin e ai mundohet afër furrës së ngrohtë. 30 Krisma e çekanit ia shurdhon veshët e sytë i mban të ngulur në gjedhen e veglës. 31 Kujdesi më i madh i tij është ta kryejë punën e rri zgjuar për ta bërë sa më të përsosur. 32 Kështu edhe vorbëtari ndenjur në punën e vet, sjell me këmbë të veta rrotën, gjithmonë i vëmendshëm për të kryer punën, i gjithë veprimi i tij qëndron në numër; 33 me dorë i duhet ta përziejë baltën e para thinjave i mbaron fuqia: 34 gjithë kujdesin e përdor për t’i lustruar e nata i kalon duke e pastruar furrën. 35 Të gjithë këta shpresën e vet e kanë në duar e secili është i mësuar në mjeshtrinë e vet. 36 Pa ta s’do të ishte e mundur të ndërtohet asnjë qytet, 37 njerëzit s’do të kishin ku të banojnë as të shëtisin. Megjithëkëtë as nuk pyeten në kuvendin e popullit as në bashkim nuk kanë një vend të veçantë. 38 Nuk rrinë në ndenjëse gjyqi, nuk i kuptojnë ligjet e gjyqit, s’dinë ta shtjellojnë as mësimin as gjyqin, s’gjenden ndër autorë të fjalëve të urta, 39 ata veç e përkrahin me punë jetën shoqërore e kujdesi i tyre qëndron në kryerjen e mjeshtrisë. I dituri 39 1 Ndërsa ai që me shpirt i kushtohet frikës së Hyjit, që përsiat në Ligjin e të Tejetlartit, shqyrton urtinë e të gjithë të vjetërve dhe i kushtohet hulumtimit të profecive, 2 i mban mend thëniet e njerëzve të përmendur dhe depërton në hollësitë e shëmbëlltyrave. 3 Kërkon vështrimin e fshehtë të fjalëve të urta dhe thellohet në fshetësitë e shëmbëlltyrave. 4 Shërben mes njerëzve të mëdhenj dhe merr pjesë në mbledhje të princave. 5 Udhëton në viset e popujve të huaj dhe fiton përvojën e të mirave e të këqijave mes njerëzve. 6 Ai ia kushton zemrën e vet herët, që në agim, Zotit që e ka krijuar dhe lutet para të Tejetlartit. 7 E hap gojën e vet në lutje e lutet për faljen e gabimeve të veta. 8 Nëse do të jetë vullneti i të Madhit Zot do të mbushet me shpirtin e kuptimit. 9 Si shi i lëshon fjalët e urtisë së vet e me lutje e lavdëron Zotin. 10 Zoti e drejton këshillin dhe urtinë e tij, kurse ai përsiat fshehtësitë e Zotit. 11 Ai e sqaron mësimin që i ka qenë dhuruar dhe mburrjen e vet e ka në Ligjin e Besëlidhjes së Zotit. 12 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij dhe kurrë nuk do të harrohet. 13 Kujtimi i tij nuk do të bjerë në harresë dhe emri i tij do të jetojë nga breznia në brezni. 14 Urtinë e tij do ta shpallin kombet e lavdi i tij do të përmendet në bashkësi. 15 Nëse do të ketë jetë të gjatë, do të lërë emër më të njohur se një mijë vetë, nëse do të vdesë, do të ketë bërë mjaft për vetvete. Grishje për të lavdëruar Hyjin Dua ende t’i paraqes përsiatjet e mia se jam plot si hëna të dymbëdhjetën ditë. 17 Mirë më dëgjoni, o bij të përshpirtshëm, e do të lulëzoni si trëndafili përbri ujit që rrjedh. 18 Hapni erë të këndshme porsi kemi, 19 lulëzoni porsi lulja e zambakut! Jepni zërit e këndoni himne, bekojeni Zotin në të gjitha veprat e tija! 20 Jepini lavdi emrit të tij, lavdërojeni në lavdinë e tij, me këngë tuaja e me harpat tuaja, kështu thoni në këngët e lavdërimit: 21 “Pa masë të mira të gjitha veprat e Zotit, e gjithçka ka urdhëruar, do të ndodhin në kohë të vet”! S’bën të pyetet: “Çfarë është kjo?” ose “Pse ajo?”, sepse të gjitha do të shqyrtohen në kohë të vet. 22 Në fjalën e tij uji ndalet si turrë, në një urdhër të gojës së tij bëhen pellgje me ujë, 23 sepse në urdhërimin e tij bëhet qetësi dhe askush s’mund ta pengojë shpëtimin e tij. 24 Çdo veprim njerëzor është para syve të tij. s’është e mundur të fshihet ndonjë gjë para tij. 25 Shikimi i tij nga një skaj në tjetrin dhe asgjë s’është e jashtëzakonshme para syve të tij. 16 S’bën të pyetet: “Çfarë është kjo?”, ose “Pse ajo?”, sepse gjithçka qe krijuar e ka qëllimin e vet. 27 Bekimi i tij vërshon porsi lumi 28 dhe e lag terikun porsi përmbytja. Kështu kombet që nuk kërkojnë atë, do t’i shpërndajë hidhërimi i tij, 29 sikurse i shndërroi ujërat në shkretëtirë të kriptë. Udhët e tija janë të drejta për shenjtër, e të papërshkueshme për mëkatarët. 30 Që prej fillimit të mirat janë krijuar për të mirë për të këqij të mirat e të këqijat. 31 Gjërat e domosdoshme të parat për jetën e njeriut janë: uji, zjarri e hekuri, kripa, qumështi, buka e grurit e mjalti, lëngu i hardhisë, vaji e petku: 32 të gjitha këto për të përshpirtshmit janë të mira, por për të paudhët e mëkatarët bëhen të këqija. 33 Ka erëra që u krijuan për ndëshkim dhe në furinë e vet u bënë frushkull ndëshkues, 34 në ditën e mbarimit do ta shtojë furinë e do ta qetësojnë zemërimin e Krijuesit. 35 Zjarri, breshri, uria e vdekja: të gjitha këto u krijuan për ndëshkim; 36 dhëmbët e egërsirave, gallomat e gjarpërinjtë, shpata dytehshe shpaguese për zhdukjen e të paudhëve: 37 i gëzohen urdhrit të Zotit dhe gati presin mbi sipërfaqen e dheut dhe, kur të vijë dita, nuk do t’i kundërshtojnë urdhrit. 38 Për këtë gjë kam qenë i bindur që në fillim, e kam rimenduar dhe e nxorra në shkrim: 39 “Veprat e Zotit të gjitha janë të mira, dhe në çdo nevojë në kohën e duhur Zoti ndihmon”. 40 S’bën të thuhet: “Kjo është më e keqe se ajo”, sepse gjithçka është e mirë në kohën e vet. 41 E tani këndoni himne me gjithë zemër e me plot gojë dhe bekojeni Emrin e Zotit. 26 Mjerimi i njeriut 40 1 Fat i mjerë u qe krijuar të gjithë njerëzve, zgjedhë e rëndë mbi bijtë e Adamit, që ditën që lindin nga kraharori i nënës së tyre deri ditën që kthehen në nënën e të gjithëve: 2 mendime shqetësuese e frikë e zemrës, kujdesi se ç’do t’u ndodhë: ditën e mbarimit. 3 Nga ai që rri mbi ndenjëse lavdie deri tek ai që rri në pluhur e në hi, 4 nga ai që mbart purpur e kurorë, deri tek ai që e mbulon mishin me li të vrazhdë, gjithçka është hidhërim, smirë, kryengritje e shqetësim, frika e vdekjes, zemërim i vazhdueshëm e grindje. 5 Në kohën e pushimit në dhomë gjumi i natës vetëm ia turbullon mendimet. 6 Pushon krejt pak, gati aspak, e ai në gjumë, mundohet si ditën, 7 e trazojnë pamjet e zemrës së shqetësuar si të atij që porsa iku nga lufta, gjatë pushimit të domosdoshëm zgjohet krejtësisht i habitur prej frikës së kotë. 8 Është fat i çdo gjallese, prej njeriut e në kafshë, kurse për mëkatarë shtatëfish më shumë: 9 përveç këtyre edhe vdekja, gjaku, grindja, shpata, ndrydhja, uria, sëmundja e frushkujt. 10 Këto të këqija kanë qenë krijuar për të paudhë, e për shkak të tyre qe bërë përmbytja. 11 Gjithçka është nga dheu, në dhe do të kthehet, gjithçka është nga uji, në det do të kthehet. Thënie të ndryshme: 12 Çdo dhuratë prishëse dhe çdo padrejtësi do të zhbëhet, kurse besnikëria do të qëndrojë për amshim. 13 Pasuria e të padrejtëve do të thahet si përroi, do të zhduket porsi gjëma e madhe në shi. 14 Kur e hap dorën e vet gëzohet, kështu mëkatarët plandosen në rrënimin e vet. 15 Nipat e të paudhëve s’do t’i shtrijnë gemat, rrënjët e papastra mbi rrasë të gjallë. 16 Blerimi që rritet rrjedhave të ujit e bri lumit, kositet më i pari. 17 Mirësia është si kopshti i bekimeve e veprat e dashurisë qëndrojnë për amshim. 18 Njeriu që s’kërkon tepër e punëtori kalojnë jetë të ëmbël, por edhe më mirë ai që gjen ndonjë visar. 19 Djemtë dhe themelimi i qytetit e sigurojnë emrin, por edhe më tepër do të nderohet gruaja e patëmetë. 20 Vera e muzika zemrën e gëzojnë, por edhe më tepër dashuria ndaj urtisë. 21 Fyelli e harpa e bëjnë të këndshme këngën, por edhe më tepër se ato zëri i ëmbël. 22 Syri kënaqet në hirësi e bukuri, por edhe më tepër se në këto në blerimin e fushave. 23 Shoku dhe miku takohen në kohë të duhur, por mbi të dy gruaja e burri. 24 Vëllezërit dhe ndihma janë të mira në ditë të vështirë, por më tepër se këta shpëton lëmosha. 25 Ari e argjendi e bëjnë të sigurt hapin, por më i mirë se të dy është këshilla e mirë. 26 Pasuria e pushteti i japin fuqi zemrës, por më tepër se të dyja frika e Zotit. 27 Nuk mungon gjë në frikën e Zotit e s’duhet të kërkohet përmbi të ndihmë. 28 Frika e Zotit është si kopshti i bekimeve, mbrojtja e saj është më e fortë se çdo lavdi. Lypësia 29 Bir, gjatë jetës sate mos u bëj nevoja e gjithkujt, sepse është më e mirë vdekja se të jesh nevoja e gjithkujt. 30 Jeta e njeriut që shikon në tryezën e huaj, nuk mund të quhet jetë. Bëhet i papastër me ushqime të huaja: 31 njeriu i edukuar e i ditur e ruan vetveten. 32 Në gojën e atij që s’ka turp fjalët e lypësisë dalin të ëmbla, por në barkun e tij zjarri ndizet flakë. Vdekja 41 1 O vdekje, sa i hidhur është mendimi mbi ty për njeriun që jeton i lumtur mes pasurisë së vet, 2 për njeriun e paqë, që gjithçka i shkon për së mbari dhe ende ka fuqi t’i shijojë të mirat! 3 O vdekje, vendimi yt është i mirëseardhur për nevojtarin e për njeriun e mbetur, 4 për plakun e shkrirë që do gjithçka të dijë, që e humbi shpresën, që e humbi duresën! 5 Mos e druaj ligjin e vdekjes! Kujtoj ata që qenë para teje edhe ata që do të vijnë pas teje: Ky është ligji e Zotit për çdo gjallesë 6 e pse t’i kundërshtosh vullnetit të Tejetlartit? Si dhjetë vjet si njëqind si një mijë, 7 në Nëntokë nuk do të të padisë kush për gjatësinë e jetës. Fati i të paudhëve 8 Fëmijët e mëkatarëve bëhën fëmijë të urrejtshëm edhe ata që banojnë në banesat e të paudhëve. 9 Trashëgimi i fëmijëve të mëkatarëve humbet, farën e tyre e përcjell urrejtja e vazhdueshme. 10 Babain e pashpirt e nëmin të bijtë, sepse për shkak të tij ata janë të urryer. 11 Të mjerët ju, o njerëz keqbërës, që e latë Ligjin e Zotit të Tejetlartë! 12 Nëse lindni, lindni për mallkim, e kur vdisni, mallkimi do të jetë trashëgimi juaj. 13 Gjithçka është prej dheut, në dhe do të kthehet, kështu të paudhët - nga mallkimi në shkatërrim. 14 Zia e njerëzve është për kufomat e tyre, emri i të paudhëve që s’është i mirë, do të fshihet. 15 Kujdesu për emër të mirë, sepse ai qëndron më shumë se një mijë visare të paçmueshme e të mëdha: 16 jeta në mirëqenie zgjat për një kohë të caktuar, kurse emri i mirë qëndron për amshim. Turpi 17 Më i mirë është njeriu që e fsheh marrinë e vet se ai që e fsheh urtinë e vet. E njëmend, urtia e fshehur e visari i papashëm, ç’dobi prej të dyve? 18 Bijtë e mi, ruajeni mësimin në paqe, 19 le t’ju vijë turp për këto që po ju them: 20 sepse nuk është mirë të skuqesh për çdo turp, nuk është, në të vërtetë, çdo marre turp. 21 T’ju vijë turp para babait e nënës për fëlligështi, para prijësit e pushtetarit për gënjeshtarit, 22 para prijësit e gjykatësit për krim, para bashkësisë e popullit për paudhësi, 23 para shokut e mikut për padrejtësi, para vendësve ku banon 24 për vjedhje, para së vërtetës së Hyjit e besëlidhjes, për vënie të bërrylave mbi tryezë, kur merr ose dhuron me përbuzje 25 kur s’përgjigjet në përshëndetje, t’i ngulësh sytë mbi gruan e pandershme, t’i sjellësh shpinën ndonjërit të farefisit, 26 t’i marrësh dikujt diçka e të mos ia kthesh, 27 t’i lëvyresh gruas së martuar, të jesh i lirë me shërbëtoren e saj, - mos iu afro shtratit të saj; 28 të vijë turp për fjalë poshtëruese para miqve - mos fyej pasi të kesh dhënë. 42 1 Të vijë turp të shpërhapësh çka ke dëgjuar e të zbulosh lajmet e fshehta. Atëherë me të vërtetë do të jesh i turpshëm e do të gjesh hir para të gjithë njerëzve. Por për këto gjëra ruaj se të vjen turp, mos mëkato për shkak të turpit të shekullit: 2 mos të vijë turp për Ligjin e të Tejetlartit e të Besëlidhjes, për vendim gjykatës që i jep të drejtën edhe të paudhit, 3 për llogari të pastër me shokë e me bashkudhëtarë, të ndash trashëgimin me të tjerë, 4 për peshore e pesha të sakta, për fitesë të shumë ose të pak gjërave, 5 për çmim të blerjes me tregtarë, për qortim të shpeshtë të fëmijëve, për përgjakje të ijeve të skllavit përtac. 6 Kur gruaja është kureshtare, e mirë është vula. 7 Ku ka duar shumë, vëri çelësin, e, çkado që të japësh, numëroje e peshoje: të dhënat e të marrat shënoji. 8 Mos të vijë turp ta qortosh të pamendin e të marrin edhe plakun që e ka lënë mendja pas fëlligështisë. Kështu do të jesh vërtet i edukuar dhe i miratuar prej të gjithë të gjallëve. Shqetësimet e babait për vajzë 9 Vajza për babain është shkak pagjumësie, kujdesi i saj gjumin ia humb: sa është e re a do t’i dalë fati, e kur e marton, a mos do ta përbuzë burri, 10 a mos i çnderohet në vajzërinë e saj e i mbetet shtatzënë në shtëpinë e babait; po edhe në shtëpinë e burrit të mos bëhet lavire, po edhe me burrë të mos mbetë beronjë. 11 Nëse e ka vajzën të padëgjueshme, shtoje rojën që të mos të bëjë përqeshje të armiqve, përrallë të qytetit e përbuzje të popullit e të të bëjë të humbasësh nderin para të gjithëve. Gratë Mos t’ia qesë në treg gjithkujt bukurinë e vet vajza jote dhe të mos rrijë shpesh për të biseduar me gra, 13 sepse nga petku del tenja e nga gratë e keqja e gruas. 14 Më mirë e keqja e burrit se mirësia e gruas: prej gruas rrjedh turpi e çnderimi. 12 II. LAVDIA E HYJIT 1. NË NATYRË 15 Tanipo i përkujtoj veprat e Zotit e do të tregoj çka vetë kam parë: me Fjalën e vet Zoti i ka krijuar veprat e veta dhe mbarë krijesa i nënshtrohet gjyqit të tij. 16 Dielli me dritën e vet ndriçon gjithçka dhe me lavdinë e Zotit plot është vepra e tij. 17 Shenjtërit e Zotit nuk janë në gjendje t’i tregojnë të gjitha mrekullitë e tija. Zoti u ka dhënë fuqi ushtrive të veta të qëndrojnë përpara lavdisë së tij. 18 Ai e shqyrton humnerën e zemrën e njerëzve dhe depërton në synimet e tyre të fshehta. 19 Sepse Zoti njeh çdo dije, i vëren hollë të gjitha shenjat e kohës, lajmëron ç’kaloi e gjithçka do të ndodhë dhe i zbulon gjurmët e gjërave të fshehura. 20 S’ka mendim që Atij mund t’i ikë, asnjë fjalë prej Tij nuk mund të fshihet. 21 Rregulluar i ka veprat e madhërishme të vetat, është i Vetmi para shekujsh, e në amshim; asgjë s’mund t’i shtohet 22 as s’mund t’i mungohet, asnjë nevoje nuk ka për asnjëlloj këshille. 23 Oh, sa të dëshirueshme janë veprat e tija! E është vetëm sa një shkëndijë çka shihet! 24 Gjithçka jeton e qëndron në amshim e në çdo nevojë të gjitha E dëgjojnë. 25 Të gjitha janë nga dy: njëra kundrejt tjetrës, asgjë nuk ka krijuar të gjymtë. 26 Njëra e përforcon të mirën e tjetrës. Kush mund të ngihet me shikimin e lavdisë së tij? Dielli 43 1 Madhështia e lartësive - kupa qiellore e kthjellët, bukuria qiellore në pamje lavdie! 2 Dielli ndërsa len shpall duke lindur: “Ç’gjë e mrekullueshme është vepra e të Tejetlartit”! 3 Në mesditë tokën e përvëlon, kush mund t’i bëjë ballë vapës së tij?! Furrën për ta ndezur trefish duhet fryrë, 4 kurse dielli djeg malet, avull të flaktë buçet, me rrezet e veta sytë i verbon. 5 I madh është Zoti që e përftoi dhe që i urdhëron hapat t’i shpejtojë. Hëna Po ashtu edhe hëna s’e shmang kohën e vet, e tregon kohën, shenjë e përhershme. 7 Hëna të kremtet i tregon, dritëdhënëse që zvogëlohet deri në zhdukje. 8 Nga ajo muaji emrin e merr, duke u rritur mrekullisht për t’u zhdukur. 9 Flamur i ushtrive qiellore, që shndrit një bukuri në kupën qiellore. 6 Yjet 10 Vezullimi i yjeve bukuria e qiellit, stoli e shkëlqyeshme në lartësitë e Zotit. 11 Në fjalën e Shenjtit qëndrojnë sipas urdhrit dhe kurrë s’i shmangen rojës së tij. Ylberi 12 Shiko ylberin e beko atë që e krijoi, është pa masë i bukur në shkëlqimin e tij. 13 E rrethon qiellin me harkun e vet, duart e të Tejetlartit e ngritën atë! Mrekullitë e natyrës 14 Në urdhrin e Tij bora bie, i shpejton vetëtimat zbatuese të gjyqit të vet. 15 I hap visaret e veta e retë fluturojnë si shpendët. 16 Me fuqinë e vet i dend retë dhe grimcohen kokrrat e breshrit. Zëri i bubullimës së Tij tokën e dridh, 17 përpara Tij tunden malet. Ai urdhëron e fryn era e jugut, 18 stuhia e veriut dhe vrulli i erërave. 19 Bën të bjerë dëbora si zogjtë kur ulen, rënia e saj është sikur ulen karkalecat: 20 syri mrekullohet në bukurinë e bardhësisë së saj, reshja e saj mallëngjen shpirtin. 21 Porsi kripë mbi tokë e derdh brymën, që, kur ngrihet, bëhet si majë ferre. 22 Kur fryn veriu i cemtë, atëherë akull ngrihet uji, pushon mbi çdo ujë të amullt: atëherë uji me pancir veshet. 23 I përpin malet e i djeg shkretëtirat, djeg gjelbërimin porsi zjarri. 24 Porse retë shpejt gjithçka shërojnë, bie vesa e freskon nga të nxehtit. 25 Me mendjen e vet e qetëson humnerën dhe nëpër të i mbjell ishujt. 26 Kush lundron deteve i tregon rreziqet e tija, duke i dëgjuar me veshët tanë, çuditemi. 27 Edhe atje ka gjëra të çuditshme e të mrekullueshme, kafshë gjinish të ndryshme e përbindësh deti. 28 Në saje të tij lajmëtari mbarë udhëton, gjithçka zbatohet sipas urdhrit të tij. 29 Sado të shtonim, mangut do ta linim, me një fjalë të vetme: “Ai është gjithçka!” 30 Ku ta gjejmë forcën Atë ta lavdërojmë? Sepse Ai është i Madhi, mbi të gjitha veprat e veta! 31 I tmerrshëm është Hyji, pa masë i Madh, e mrekullueshme është Gjithpushtetësia e tij! 32 Lavdërojeni Zotin lart e më lart, gjithë sa të keni fuqi, gjithnjë do të jetë më i madhërishëm, më e mrekullueshme madhëria e tij! 33 34 Për ta lavdëruar jepini me gjithë fuqi: mos meni se kurrë s’do t’ia dilni në skaj. 35 Kush e ka parë që ta përshkruajë? Kush mund ta madhërojë ashtu si Ai është? 36 Shumë ka fshehtësi më të mëdha se këto, sepse ne pamë vetëm disa prej veprave të tija. 37 Të gjitha janë të krijuara prej Zotit që njerëzve të përshpirtshëm u ka dhuruar urtinë. 2. NË HISTORI Lavdërim të parëve 44 1 Lavdi etërve. T’u këndojmë lavde burrave të përmendur, të parëve tanë sipas breznive të tyre. 2 Shumë lavdi i Lumi ka përftuar, madhëria e tij është prej amshimit. 3 Disa ishin zotërues në mbretëritë e veta, njerëz të përmendur përnga fuqia e tyre, të tjerët ishin të pajisur me urti, prapë disa lajmërues profecish. 4 Disa të tjerë e udhëzonin popullin me këshilla, njerëz të aftë me urtinë e popullit, me mësime të urta të dijes së tyre. 5 Disa të tjerë nxirrni melodi këndimi, prapë disa ishin poetë. 6 Ishin të tjerë të pasur e të zotët, plot kujdes për bukurinë e jetonin të qetë në shtëpitë e veta. 7 Të gjithë këta qenë të përmendur në kohën e vet edhe ishin mburrja e ditëve të veta. 8 Prej tyre disa lanë zërin e mirë që ende përmendet me lavde. 9 Disa të tjerëve kujtimi s’u mbeti, u harruan sikur të mos kishin qenë, kanë lindur sikur të mos kishin lindur, po ashtu edhe bijtë e tyre pas tyre. 10 Por këta ishin njerëz të përshpirtshëm, veprat e mira të tyre nuk ranë në harresë. 11 Në pasardhësit e tyre mbeti trashëgim i pasur, nipat e tyre, 12 trashëgimtarët e tyre besnikë të Besëlidhjes, 13 në saje të të parëve edhe bijtë e tyre. Fara e tyre mbetet për amshim, nderi i tyre kurrë nuk do të harrohet. 14 Kufomat e tyre pushojnë në paqe dhe emri i tyre jeton brezni më brezni; 15 urtinë e tyre e shpallin popujt e lavdinë e tyre e kumton bashkësia. Henoku 16 Henoku i pëlqeu Hyjit dhe qe rrëmbyer në parajsë, për t’u dhënë paganëve mundësinë e kthimit. Noehi 17 Noehi ishte njeri i drejtë e i përsosur dhe në kohën e hidhërimit u bë përtëritje, 18 nëpër të u shpëtua teprica mbi tokë kur qe bërë përmbytja. 19 Me të u bë Besëlidhja e amshueshme se s’do të sosej më me përmbytje çdo gjallesë. Abrahami 20 Abrahami, baba i lavdishëm i shumë popujve, në nderin e tij nuk u gjet e metë. Ai e ruajti Ligjin e të Tejetlartit, dhe bëri me të Besëlidhje. 21 Besëlidhjen ai e përforcoi në trup të vet e në provë u gjet besnik. 22 Kështu edhe Hyji me përbetim iu zotua se në pasardhësinë e tij do të bekohen popujt, se do ta shtojë porsi pluhurin e dheut, 23 se do t’ia ngrejë pasardhësinë si yjet e qiellit, se do ta trashëgojë tokën prej detit në det, nga Lumi deri në skajin e tokës. Izaku e Jakobi 24 Po ashtu edhe Izakut iu zotua, në saje të Abrahamit, babait të tij. 25 Zoti ia dha bekimin e të gjithë popujve dhe e përforcoi Besëlidhjen mbi kokë të Jakobit. 26 E përforcoi në bekimet e veta, atij ia dhuroi vendin për pronë dhe ua ndau në pjesë dymbëdhjetë fiseve. Moisiu 27 Prej tij bëri të dalë një njeri i mirë, që e çmoi mbarë njerëzia, 45 1 të dashur prej Hyjit e prej njerëzve, Moisiun, kujtimi i të cilit është në bekim. 2 I dhuroi lavdinë sikurse edhe shenjtërve, e bëri të madhërishëm, tmerr për armiqtë. Në fjalët e tija i shpejtoi mrekullitë. 3 E bëri të lavdishëm në sytë e mbretërve, i dha urdhërimet për popullin e vet dhe ia dëftoi lavdinë e vet. 4 Në saje të besnikërisë dhe të butësisë së tij, e shenjtëroi dhe e zgjodhi në mes të gjithë njerëzve. 5 Ia mundësoi ta dëgjojë zërin e tij dhe e futi në re; 6 personalisht ia dha urdhërimet, Ligjin e jetës e të dijes, për t’ia mësuar Jakobit Besëlidhjen e vet e Izraelit urdhrat e vet. Aroni 7 Ai e ngriti Aronin, e shenjtëroi porsi atë, që ishte vëllai i tij nga fisi i Levit. 8 Lidhi me të një Besëlidhje të amshueshme dhe ia dhuroi priftërinë e popullit, e bëri të lum me lavdi, 9 e ngjeshi me brez të lavdishëm e veshi me petk stolie të përsosur, e kurorëzoi me shenja fuqie: 10 të linjtat, linjën e shpinorin ia veshi, rreth e rreth i vuri zile tingëlluese ari, gjithkund përreth me shega të shumta, 11 që të tingëllojnë ndërsa ai të ecë e të ndihet tingëllima në Tempull për t’i përkujtuar bijtë e popullit të vet. 12 E stolisi me një petk të shenjtë, ari, vjollcë e purpurt, mjeshtrisht të qëndisur, me parzmoren e gjyqit edhe brezin, 13 pëlhure liri të kuq bojëgjake mjeshtërisht të punuar, me vjerrësin me gurë të paçmueshëm, të rrethuar në ar, me mjeshtri të gdhendësit të gurit, në përkujtim me germa të zgavrruara sipas numrit të fiseve të Izraelit. 14 Kezën ari përmbi kësulën e tij, të stolisur me pllaka - vula të shenjtërisë, stoli nderi, vepër mjeshtrie të pashoqe, kënaqësi e vërtetë për shikim, bukuri e përsosur. 15 Kaq të bukura para tij nuk qenë askurrë, askurrë një i huaj të tilla s’do t’i veshë, por vetëm bijtë e tij dhe nipat e tij brez pas brezi. 17 Flia e tij digjet krejtësisht me zjarr dy herë në ditë, vazhdimisht. 18 Moisiu atë e shuguroi dhe e leu me vaj të shenjtë. 19 Kjo qe për të Besëlidhje e përhershme e për farën e tij deri sa të jetë qielli: të kryesojë shërbesën e të ushtrojë priftërinë dhe ta bekojë popullin e vet në emër të Zotit. 20 E zgjodhi në mes të gjithë të gjallëve t’i kushtojë Hyjit fli, kem e dhjamë, t’i përftojë erë të këndshme si përkujtim dhe të kryejë shpërblim për popullin e vet. 21 Ia besoi urdhërimet e veta, pushtetin mbi përcaktimet e Ligjit: t’ia mësojë Jakobit urdhëresat e tija e ta ndriçojë Izraelin në Ligjin e tij. 22 Kundër tij u ngritën disa jo të barkut të tij dhe këta njerëz nga smira e rrethuan në shkretëtirë, njerëzit e Datanit, e të Abiramit dhe turma e Koreut, të zemëruar plot hidhërim, 23 Pa Zoti Hyj dhe nuk i pëlqeu dhe u zhdukën në sulmin e zemërimit të tij. 24 Bëri një emnesë mbi ta dhe i zhduku me flakën e zjarrit. 25 E ia shtoi nderin Aronit, i dhuroi trashëgim, për të i ndau frytet e para të tokës. 26 Më së pari bukë i dha me mbushulli, madje i hanë edhe flitë e Zotit, ato që Ai ia dhuroi atij e farës së tij. 27 Megjithatë në tokën e popullit pronë nuk ka dhe ai pjesë nuk ka në popull: sepse Zoti është pjesa dhe trashëgimi i tij. 16 Fineesi 28 Fineesi, djali i Eleazarit, është i treti për lavdi, për zellin e tij ndaj frikës së Zotit, 29 sepse qëndroi si burrat kur populli u çua kundër, ndërhyri me guxim e trimëri e kështu e pajtoi Izraelin me Hyjin. 30 Kështu edhe u bë me të një Besëlidhje paqeje, që të jetë prijësi i shenjtërores e i popullit të vet, që t’i takojë atij dhe farës së tij, denjësia e priftërisë për amshim. 31 Bëri Besëlidhje edhe me mbretin David, të birin e Jeseut, nga fisi i Judës, por trashëgimi mbretëror nga babai i takon vetëm njërit djalë, kurse trashëgimi i Aronit u takon të gjithë pasardhësve të tij. Zoti e ndikoftë në zemrën tuaj urtinë që ta gjykoni popullin e tij me drejtësi, që të mos humbin të mirat e të parëve e nderi i tyre të vazhdojë në brezni të amshueshme. Jozuehu 46 1 Trim në luftë Jozuehu, i biri i Nunit, pasardhësi i Moisiut në zyrën profetike, Ai qe i tillë siç i thotë emri, 2 u dëftua i madh për të shëlbuar të zgjedhurit e Hyjit, për të ndëshkuar armiqtë kryengritës që të ngulte në pronë të vet Izraeli. 3 Se ç’lavdi fitoi kur lartësonte duart kur vringëllonte kundër qytetit shpatën! 4 Kush, atij, mundte t’i bëjë ballë? Ai udhëhiqte luftërat e Zotit! 5 Vallë, në dorë të tij a nuk u ndalua dielli e një ditë u bë pothuajse dy? 6 Në ndihmë e thirri të Gjithpushtetshmin, të Tejetlartin, për t’i luftuar armiqtë në çdo anë, i Madhi Zot atë e vështroi, flaki kokrra breshri tmerrsisht të fuqishëm. 7 Ai u sul kundër popullit armik, në Tatëpjetë i zhduku armiqtë 8 që t’i njihnin kombet armët e tija, sepse lufta e tyre ishte kundër Hyjit: e njëmend ecte pas shpinës së të Gjithpushtetshmit. Kalebi 9 Në kohën e Moisiut e dëftoi besnikërinë e vet ai edhe Kalebi, i biri Jefoneut, duke qëndruar të palëkundshëm përballë bashkësisë, duke e larguar popullin prej mëkatit e duke e penguar nynykatjen dijekeqe. 10 Së këndejmi edhe vetëm këta dy shpëtuan nga gjashtëqind mijë këmbësorë për t’i futur në trashëgimin e tyre në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. 11 Edhe vetë Zoti i dha Kalebit fuqinë -që s’e lëshoi as në pleqëri që t’i përshkonte bjeshkët e larta të vendit, të cilat janë prona e pasardhësve të tij, 12 që ta shihnin të gjithë izraelitët sa punë e mirë është Zotin ta nderosh. Gjyqtarët 13 Kështu edhe Gjyqtarët, të gjithë emër për emër, të cilëve zemra nuk iu prish, të cilët prej Zotit s’u larguan: 14 qoftë bekuar kujtimi i tyre, eshtrat e tyre u lulëzofshin nga varri 15 emri i tyre u përtëriftë në bijtë e këtyre njerëzve të përmendur! Samueli 16 Samueli, i dashur prej Hyjit të vet, profet i Zotit, themeloi mbretërinë, ai i shuguroi mbretërit mbi popullin e vet. 17 Sipas Ligjit të Zotit e gjykoi bashkësinë edhe Zoti i erdhi në pasi Jakobit e me besnikërinë e vet u dëftua profet i vërtetë, 18 fjalët e tija e vërtetuan se është vegues i saktë. 19 Në ndihmë e thirri Zotin e gjithëpushtetshëm për t’i luftuar armiqtë kudo përreth me kushtimin e një qengji qumështi. 20 E bubulloi nga qielli Zoti, me poterë të madhe bëri t’i dëgjohej zëri, 21 i zhduku prijësit e tiranësve e të gjithë krerët e filistenjve. 22 Para se të binte në gjumë të përhershëm dëshmoi në prani të Zotit e të shuguruarit të tij: “Prej askujt unë kurrë nuk mora asgjë as para deri as këpucë”, e askush nuk e paditi. 23 Po edhe pas vdekjes profetizoi, i tregoi mbretit mbarimin e jetës, nga dheu e lartësoi zërin e vet profetik për ta zhdukur paudhësinë e popullit. Natani 47 1 E pas tij u ngrit Natani, profeti në kohën e Davidit. Davidi 2 Sikurse dhjami ndahet nga flia e shëlbimit, kështu Davidi u dallua veçmas nga bijtë e Izraelit. 3 Luante me luanë porsi me keca, me arinj porsi me qengja! 4 Pse a në rini nuk e vrau viganin e s’e lau turpin prej popullit? 5 I dha hobes me dorë të vet dhe e lau poshtërimin e Golisë! 6 Sepse e thirri të Lartin Zot, ai i dha fuqi të djathtës së tij për ta zhdukur trimin e fortë të luftës e për t’ia rritur fuqinë popullit të vet. 7 Kështu e lavdëruan për dhjetë mijërat e tija, e madhëruan ndër këngët e Zotit dhe ia dhuruan kezën e lavdishme, 8 sepse gjithkund i theu armiqtë, i mposhti kundërshtarët filistenj, sa që s’çuan më kokë deri në ditë të sotme. 9 Në çdo vepër të vet i dha lavdi Shenjtit të Tejetlartë, me fjalë lavdie, 10 me gjithë zemrën e vet e lëvdoi Zotin dhe e deshi Hyjin, Krijuesin e vet. 11 Caktoi të qëndrojnë përballë lterit muzikantët, që me zërin e tyre t’i japin shije këngës. 12 Festave u dha shkëlqim, i stolisi deri në përkryerje të kremtet e vitit, i dha lavdi Emrit shenjt të Zotit e bëri të jehojë që në agim Shenjtërorja. 13 Vetë Zoti i pastroi mëkatet e tija, e rriti pushtetin e tij për amshim, i dhuroi Besëlidhje mbretërore, fronin e lavdishëm në Izrael. Salomoni 14 Pas tij u ngrit një djalë i mençur, i cili, në saje të tij, jetoi në mirëqenie. 15 Salomoni mbretëroi në kohë të paqes; Hyji i dhuroi paqe gjithkah përreth që të ndërtonte Shtëpinë në nder të Emrit të tij e ta bënte gati Shenjtëroren e përjetshme. Oh, se ç’ishe i urtë gjatë rinisë sate, 16 plot me dije porsi lumi! Dija jote e mbuloi dheun 17 dhe e mbushe me fjalë të urta, të fshehta! T’u dëgjua emri gjer në ishujt e largët dashurinë fitove me paqen tënde! 18 Me këngë, fjalë të urta, me shëmbëlltyra e me shtjellime çudite mbarë botën! 19 Në Emër të Zotit Hyj, që quhet Hyji i Izraelit, 20 bashkove ar porsi kallaj, grumbullove argjend porsi plumb! 21 Por ua afrove ijet e tua grave dhe u bëre rob i trupit tënd. 22 Kështu e turpërove nderin tënd, e poshtërove farën tënde, solle zemërimin mbi bijtë e tu dhe vuajtjen për shkak të marrëzisë sate. 23 Kështu mbretëria u nda më dysh e në Efraim nisi mbretëria kryengritëse. 24 Porse Zoti s’do t’i bjerë mohit mëshirës së vet, s’do ta mohojë asnjë prej fjalëve të veta, s’do t’ua tresë farën nipave të të zgjedhurit të vet, s’do ta shuajë farën e atij që e do Zotin. 25 Jakobit ia dhuroi një Tepricë e Davidit ia ruajti pinjollin e dalë prej tij. Roboami 26 Salomoni pushoi me të parët e vet, la pas vetes prej farës së vet më të marrin, 28 pa pikë mençurie, Roboamin që e largoi popullin me këshillin e vet. 27 Jeroboami 29 Jeroboami, biri i Nabatit, bëri të mëkatojë Izraeli, ia hapi udhën e mëkatit Efraimit, mëkatet e tyre aq fort u shumuan, 30 sa që i dëbuan prej vendit të vet. 31 I bënë të gjitha llojet e paudhësisë deri sa mbi ta arriti ndëshkimi. Elia 48 1 Atëherë porsi zjarr u ngrit profeti Eli, flaka e tij digjte si vravashka. 2 Ai mbi ta solli urinë dhe me zellin e vet ua zvogëloi numrin. 3 Me urdhër të Zotit e mbylli qiellin e tri herë prej qiellit e zbriti zjarrin. 4 Oh, sa i lavdishëm u bëre, Eli, me mrekullitë e tua! Kush mund të matet me ty në lavdi? 5 Ti e ngjalle prej së vdekuri të vdekurin, nga Nëntoka me fjalën e Zotit! 6 Ti i prire mbretërit në rrënim, nga shtrati i tyre flake njerëz të përmendur, lehtë ua theve pushtetin e tyre. 7 Ti dëgjon në Sinai qortimet e në Horeb vendimet ndëshkuese! 8 Ti shugurove mbretër për hakmarrje dhe profetë për pasardhës të tu! 9 Ti qe mbartur në vorbullën e zjarrtë, në karrocë me kuaj zjarri. 10 Ti qe shkruar të jesh përgatitje për kohët, ta zbutësh zemërimin para se të pëlcasë, ta kthesh zemrën e babait tek i biri e t’i rimëkëmbësh fiset e Jakobit. 11 Lum ata që ty të panë e që pushuan në dashurinë tënde! 12 Edhe ne patjetër do të jetojmë, por pas vdekjes i tillë s’do të jetë emri ynë. Elizeu 13 Porsa Elia qe mbështjellë në vorbull, Elizeu u mbush me shpirtin e tij. Gjatë jetës së tij mbret s’pat që e trembi, kush me forcë s’mundi të ngadhënjejë mbi të. 14 Asnjë gjë s’mundi ta tejkalojë, edhe, i vdekur, trupi i tij parafoli. 15 Gjatë jetës së vet bëri mrekulli edhe pas vdekjes të mrekullueshme qenë veprat e tija. Pabesnikëria e ndëshkimi 16 Megjithatë populli nuk u kthye e s’u shkëput nga mëkatet e veta, deri sa qe dëbuar nga mëmëdheu edhe humbur nëpër vise të tokës mbarë; 17 e nuk mbeti por një pakicë e popullit me një prijës nga shtëpia e Davidit. 18 Disa prej tyre bënë çka i pëlqen Hyjit, kurse të tjerët i shumuan mëkatet. Ezekia 19 Ezekia e forcoi qytetin e vet, e në mes të tij e solli ujët, me hekur çeli kanale në shkëmb e çeli cisterna për ujë. 20 Në ditët e tija u ngrit Senakeribi, dërgoi Rabsacen, i cili arriti, e çoi dorën e vet kundër Sionit, shiti krenari me fjalë të mëdha. 21 Zemër e duar të tyre u dridhën, vuanin si gruaja në të lindur, 22 por e thirrën në ndihmë Zotin e mëshirshëm, duart e shtrira i lartësuan drejt Tij edhe Shenjti shpejt ua dëgjoi britmën. 23 S’i mori parasysh mëkatet e tyre, as s’i dorëzoi te armiqtë e tyre, i çliroi me dorë të Isaisë, profetit të shenjtë, 24 i goditi llogoret e asirëve dhe i shqimi engjëlli i tij. Isaia 25 Sepse Ezekia bëri çka i pëlqen Hyjit, eci pashmangshëm udhës së Davidit, babait të vet, si i urdhëroi Isaia profet, i madh e besnik në vegimet e veta. 26 Në ditët e tija prapazi u kthye dielli edhe mbretit ia shtoi jetën. 27 Me frymëzim të madh pa mbarimin e kohës dhe i ngushëlloi të mjerët e Sionit. Deri në amshim e lajmëroi të ardhmen 28 edhe gjërat e fshehta përpara se të ngjajnë. Jozia 49 1 Kujtimi i Jozisë është si era e mirë e përzier me mjeshtri të erëpërftuesit; 2 në gojë të secilit është i ëmbël si mjalti, si muzika në një banket me verë. 3 Ai qe, hyjnisht, drejtuar për ta kthyer popullin, i zhduku turpësitë e paudhësisë, 4 e drejtoi zemrën e vet tek Zoti dhe në kohë të patenzonë e përforcoi përshpirtërinë. Mbretërit e profetët e fundit 5 Me përjashtim të Davidit, Ezekisë e të Jozisë, të gjithë u ngarkuan me mëkate, 6 pasi mbretërit e Judës e lanë Ligjin e të Tejetlartit, e përbuzën frikën e Hyjit, 7 mbretërinë e vet ua dhanë të tjerëve dhe lavdinë e vet një kombi të huaj. 8 E dogjën qytetin e zgjedhur të Shenjtërores dhe ia shkretuan rrugët e tija sipas fjalës së Jeremisë. 9 Sepse e morën me të keq atë që ishte që në kraharorin e nënës i shuguruar profet për të shkatërruar, për të rrënuar e për të vrarë, e përsëri për të ndërtuar, mbjellë e përtërirë. 10 Ezekieli pati një vegim të Lavdisë që Hyji ia dëftoi mbi karrocë kerubinësh. 11 Sepse i ranë ndër mend armiqtë në stuhi dhe u bëri mirë atyre që mësonin udhët e drejta. 12 E sa për dymbëdhjetë profetët: eshtrat e tyre lulëzofshin nga varri, sepse ata e ngushëlluan Jakobin, e shpërblyen me fe të fuqishme. Zorobabeli e Jozuehu 13 Si ta madhërojmë Zorobabelin? Po, ai është si vula në dorën e djathtë! 14 I tillë qe edhe Jozuehu, i biri i Jozedekut. Këta, në ditët e tyre e ndërtuan Shtëpinë dhe e lartësuan Tempullin e shenjtë të Zotit, të caktuar për lavdi të përhershme. Nehemia S’do të harrohet për kohë të shumtë Nehemia që na i ndreqi muret e rrënuara, që i ripunoi dyer e shula e i ndreqi banesat tona. 15 Vështrim i shkurtër Askush s’qe krijuar mbi tokë si Henoku; sepse ai qe rrëmbyer nga toka. 17 Po as si Jozefi një tjetër njeri s’lindi, krye i vëllezërve, mbështetja e popullit. 18 Deri edhe eshtrat e tij qenë veçanërisht nderuar edhe pas vdekjes bënë mrekulli. 19 Seti e Semi qenë nderuar prej njerëzve, por Adami është mbi të gjitha gjallesat e krijuara. 16 Kryeprifti Simon 50 1 Është Simoni, biri i Onisë, kryeprifti që, gjatë jetës së vet e ndreqi Shtëpinë dhe, në ditët e tija, e forcoi Shenjtëroren. 2 Prej tij u vunë themelet e lartësisë, baza e lartësuar e murit të tempullit. 3 Në kohë të tij u çel saranxha - një liqen me përmasa të detit. 4 Për ta shpëtuar popullin prej cubit e forcoi qytetin në rast të rrethimit. 5 Sa i hijshëm dukej kur shikonte nga Tenda, kur dilte nga Shtëpia e tisit! 6 Porsi ylli i mëngjesit në re, porsi hëna e plotë ditën e festës, 7 porsi dielli ndriçues përmbi Tempull të Hyjit! 8 Porsi ylberi i ndritshëm ndër retë e lavdisë, porsi lulja e trendafilit në pranverë, porsi zambakët përbri ujin që rrjedh, porsi lulet e Libanit në ditë të verës, 9 porsi zjarri në flakë e kemi në zjarr, 10 porsi ena ari të farkuar, e stolisur me çdo gur të paçmueshëm, 11 porsi ulliri garguri me fruta, si qeparisi që prek deri në re, kur veshej me petkun e lavdisë, kur stolisej me madhëri të përsosur! 12 Kur ngjitej në lter të shenjtë, me madhëri e mbushte brendinë e shenjtërores! 13 E kur merrte pjesët prej dorës së priftërinjve, e qëndronte në këmbë përbri lterit, përreth tij kurora e vëllezërve, porsi degët e cedrit të Libanit, 14 e rrethonin në këmbë porsi rrema palmash të gjithë bijtë e Aronit në madhërinë e vet, 15 me fli të Zotit në duart e tyre para mbarë bashkësisë së Izraelit. Kur i kryente funksionet në lter, përcaktonte kushtet e të Gjithpushtetshmit, 16 shtrinte dorën për flinë e njomjes, bënte njomjen me gjak të rrushit, 17 e derdhte në themel të lterit, erë hyjnore për Zotëruesin e tejetlartë. 18 Brohoritnin atëherë bijtë e Aronit, u binin borive me metal të punuara dhe lëshonin një britmë të madhe në përkujtim Hyjit të Tejetlartë. 19 Atëherë mbarë populli njëherësh shpejtonte me fytyrë binin mbi dhe për ta adhuruar Zotin, Hyjin e vet, e për t’i drejtuar lutjet Hyjit të gjithëpushtetshëm e të tejetlartë. 20 Atëherë këngëtarët e lavdëronin me zëra të tyre, ëmbël kumbonte ajo këngë e madhërishme! 21 Populli i lutej Zotit të tejetlartë me lutje në prani të Mëshirëmadhit deri sa kryhej sjellja në nder të Zotit e i jepnin fund shërbesës së vet. 22 Atëherë zbriste e i lartësonte duart përmbi mbarë bashkësinë e izraelitëve për t’ua dhënë me buzë të veta bekimin e Zotit e të nderohet me Emrin e tij. 23 Edhe një herë binin përmbys për të fituar bekimin e të Tejetlartit. Përkujtim 24 E tani, bekojeni Hyjin e gjithësisë, që kryen vepra të madhërishme gjithkund, që i lartëson ditët tona që prej kraharorit të nënës dhe sillet me ne sipas mëshirës së vet. 25 Ai na e dhëntë gëzimin e zemrës, u dhëntë paqe ditëve tona në Izrael, në mote të përhershme. 26 Ai bëftë që Izraeli të besojë se me ne është mëshira e Hyjit që të jemi të lirë gjatë ditëve tona. Fjalë e urtë numërore 27 Dy popuj i ka inat shpirti im e i treti as që është popull: 28 banorët e malit Seir e filistenjtë dhe popullin e marrë që banon në Sikim. Përfundimi 29 Është një mësim urtie e dijeje që e ka shkruar në këtë libër Jezusi, biri i Siracidit, Jerusalemas, që urtinë nga zemra e vet e zbrazi. 30 I lumi ai që i pleqëron këto gjëra. Kush i shtie në zemër të vet, bëhet i urtë. 31 Nëse do t’i shtjerë në veprim, do të jetë i zoti në gjithçka, sepse frika e Zotit është udha e tij. Himni i falenderimit 51 1 Lutja e Jezusit, birit të Siracidit: “Do të lavdëroj, o Zot, Mbret, e do të madhëroj ty, o Hyj, Shëlbuesi im! 2 Do ta madhëroj Emrin tënd, sepse ti je bërë ndihmësi e mbrojtësi im. 3 Ti ma shpëtove trupin prej humbjes, prej gjuhës së keqe, prej buzëve që endin gënjeshtra, përballë atyre që u çuan kundër meje ti m’u bëre ndihmës. 4 Ti vetë më shpëtove me mëshirën tënde të madhe e me Emrin tënd nga kërraba e bëre gati për mish, 5 nga duart e atyre që ma kërkonin jetën e nga shumë të vështirësi që më kishin rrethuar, 6 nga zjarri që më rrethoi e ma zinte frymën, nga mesi i zjarrit, ku nuk u dogja; 7 nga thellësia e barkut të Nëntokës, nga gjuha e ndytë e fjala e rreme, nga shigjeta e gjuhës së padrejtë. 8 Shpirti im i ishte afruar vdekjes, 9 jeta ime në grykën e Nëntokës. 10 Më kishin rrethuar gjithandej e s’kishte kush të më ndihmojë. Me sy kërkoja ndihmë prej njerëzve, por nuk gjeta! 11 Atëherë më ra në mend mëshira jote, o Zot, dhe veprimi yt që është i përhershëm, 12 se ti i shpëton ata që shpresojnë në ty, o Zot, dhe se i çliron prej duarve të keqbërësve. 13 Nga toka e lartësova përlutjen time e u luta të shpëtoj nga vdekja. 14 E thirra Zotin: “Ti je Ati im, mos më lësho ditën e ngushticës sime, në kohën e krenarëve kur jam pa ndihmë. 15 Vazhdimisht do ta lavdëroj Emrin tënd e do të këndoj këngën e falenderimit”. Lutja ime qe vështruar! 16 Ti më shpëtove prej vdekjes, më lirove prej kohës së keqe. 17 Prandaj do të të falenderoj e do të këndoj lavde e do ta bekoj Emrin e Zotit. Poema mbi kërkimin e urtisë 18 Kur ende isha i ri, para se të udhëtoja, e kërkoja vazhdimisht urtinë me lutje. 19 Para Tempullit e kërkoja atë e sa të jem gjallë do ta kërkoj, dhe më lulëzoi porsi rrushi që shenjet. 20 Zemra ime në të e gjeti gëzimin, këmba ime eci udhës së drejtë, sepse e kërkoja që nga rinia. 21 E prira pakëz veshin dhe e mësova 22 dhe ia dola të mësoj shumë, madje shumë përparova në të: 23 do t’i jap nder atij që më jep urti. 24 Sepse vendosa ta vë në veprim, kërkova të mirën e nuk do të turpërohem. 25 Shpirti im ka luftuar për të dhe qeshë i kujdesshëm në zbatimin e Ligjit. 26 I drejtova duart e mia lart e i mësova gjërat që s’kuptohen. 27 Shpirtin tim e drejtova kah ajo dhe e gjeta në zemrën e pastër. 28 Prej fillimit me të e fitova kuptimin, prandaj edhe s’do të jem braktisur. 29 Përbrendëset m’u përzien duke e kërkuar, prandaj edhe e fitova një të mirë të paçmueshme. 30 Zoti ma dhuroi si shpërblim gjuhën dhe me të i jap lavdi. 31 Afrohuni pranë meje, ju të pashkolluar, e bashkohuni në shtëpinë e mësimit. 32 Vallë, pse kaq po vononi në këto gjëra, kurse shpirti juaj kaq shumë etje ka? 33 E hapa gojën time e fola: “Blejeni pa pare, 34 qafën tuaj vëreni nën zgjedhë e shpirti juaj le ta pranojë mësimin: është krejt afër e mund të gjendet. 35 Shikoni me sytë tuaj se vetë pakëz u mundova e gjeta për vete qetësi të madhe. 36 Blejeni mësimin për shumë parà e do të fitoni me të shumë ar. 37 Shpirti juaj le të gëzohet në mëshirën e Zotit dhe kurrë mos t’ju vijë turp ta lavdëroni Atë. 38 Kryejeni punën tuaj para kohës së caktuar e në kohën e duhur Ai do t’jua japë shpërblimin”.