Abdia: 1. Dënimi kundër Edomit

1

Vegimi i Abdisë.

Hyrja

Kështu i thotë Zoti Hyj Edomit.

E kemi dëgjuar një lajm prej Zotit

dhe një kasnec ka qenë dërguar ndër kombe:

“Çohuni! Të sulemi kundër tij!

Në luftë!”

Dënimi kundër Edomit

2 Ja, të vogël po të bëj ndër popuj,

je tepër i përbuzshëm!

3 T’i mori mendtë krenaria e zemrës sate,

o banues, ndër plasa qetash,

që banon në maja të lartë

e të thotë mendja:

“Kush do të mund të më plandosë përtokë!”

4 Të lartësoheshe edhe si shqiponja,

të ta bëje çerdhen mu ndër yje,

do të t’plandosja edhe prej andej, ”

‑ është fjala e Zotit!

Asgjësimi i Edomit

5 Nëse do të hynin cubat në ty

ose ata që vjedhin natën

‑ si do të sharroje!

A s’do të vidhnin sa u mjafton?

Nëse vjelësit në ty do të hynin,

a do të të linin gjë përveç ndonjë greci?

6 E po si e kërkuan Ezaun?

Skutëliq s’lanë pa ia gjetur!

7 Të dëbuan deri në skaj,

besëlidhësit e tu të rrejtën,

të mbizotëruan miqtë e tu,

ata që me ty bukë hanë

do ta vënë pritën!

Jo, në të mençuri s’ka!

8 “Pse a njëmend thua se atë ditë

‑ është fjala e Zotit ‑

s’do t’i tresë të urtët e Edomit,

urtinë prej malit të Ezaut?

9 Do të tmerrohen ushtarët e tu, Teman,

do të shfaroset çdo njeri

prej malit të Ezaut.”

Gabimi i Edomit

10 “Për vrasjen e për dhunën

kundër vëllait tënd Jakobit,

do të t’mbulojë turpi,

e fara do të shuhet përgjithmonë!

11 Ti qëndroje përballë atë ditë,

kur të huajt rob ushtrinë ia merrnin,

kur barbarët ia thyenin dyert,

mbi Jerusalem kur hidhnin short,

edhe ti ishe si një ndër ta.”

12 Mos iu kënaq çmoskurrjes së vëllait tënd,

mos iu gëzo ditës së vështirësisë së tij!

Mos u kënaq mbi bijtë e Judës

ditën e rrënimit të tyre!

Mos e hap vesh e më vesh gojën

në ditë të ngushticës!

13 Mos ia thyej popullit tim derën

ditën e rrënimit të tij,

mos ia shiko me kënaqje të keqen,

ditën e shkretimit të tij!

Mos vër dorë mbi kamje të tij,

ditën e emnesës së tij!

14 As ndër shtigje mos u vër pritë

për t’i vrarë ata që ikin!

Mos tradhto ata që shp’tuan

ditën e ngushticës së tyre!

15 Sepse afër është dita e Zotit,

kundër popujve të gjithë!

Sikur bëre edhe ty do të të bëhet,

hakmarrja jote mbi kokë do të të bjerë!

Ditën e Zotit Izraeli do të hakmerret mbi Edomin

16 Sikur pitë mbi malin tim të shenjtë,

të gjithë popujt vazhdimisht do të pijnë,

do të pijnë e do të shpikin:

do të jenë sikur të mos kishin qenë kurrë!

17 Shpëtimi do të jetë mbi mal të Sionit

‑ i shenjtë do të jetë ‑

shtëpia e Jakobit do t’i pronësojë

ata që e pronësuan atë.

18 Zjarr do të jetë shtëpia e Jakobit,

e Jozefit flakë do të jetë,

kurse shtëpia e Esaut kashtë!

Do ta djegin, shkrumb do ta bëjnë,

kush s’do të mbesë prej shtëpisë së Ezaut,

sepse Zoti kështu e ka thënë!

Izraeli i ri

19 Do ta pushtojnë jugun,

malin e Ezaut,

e Sefelami filistenjtë;

do të pronësojnë krahinën e Efraimit

edhe krahinën e Samarisë,

Beniamini do të pronësojë Galaadin.

20 Mërgimtarët e parë të bijve të Izraelit,

do të pronësojnë

dheun e kananenjve deri në Sareptë;

mërgimtarët e Jerusalemit

që janë në Safarad,

do të pronësojnë qytetet e jugut.

21 Ngadhnjimtarë do të ngjiten në malin Sion

për të sunduar malin e Ezaut,

atëherë Zoti do të mbretërojë!