1 e Selanikasve: 1. Feja dhe shembulli i selanikasve

1

1 Pali, Silvani dhe Timoteu:

Kishës së selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot.

Paçi hir dhe paqe!

Feja dhe shembulli i selanikasve

2 Gjithmonë e falënderojmë Hyjin për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona 3 duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.

4 Sepse, o vëllezërit e dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, 5 pasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. 6 Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzimin që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, 7 kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës. 8 Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. 9 Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyji prej idhujsh që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë 10 dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.

1 e Selanikasve: 2. Veprimtaria e Palit në Selanik

2

1 Nga ana tjetër edhe ju vetë e dini mirë, o vëllezër, se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë, 2 por, përkundrazi edhe pse, siç e dini, qemë të salvuar e të poshtëruar në Filipe, prapë morëm guxim, me ndihmën e Hyjit tonë, ta predikojmë Ungjillin e Hyjit ndër ju sadoqë me luftë të madhe. 3 Vërtet, predikimi ynë nuk vjen nga gabimi, as nuk ka qëllime të papastra, as nuk mbështetet në dinakëri, 4 por, sikurse Hyji vendosi të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë; jo, sikurse të donim t’u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit që i shqyrton zemrat tona. 5 Sepse, siç e dini mirë, askurrë nuk përdorëm fjalë përkëdhelëse dhe ‑ Hyjin e kemi dëshmitar ‑ as dëshirë të fshehtë të lakmimit të pasurisë. 6 Nuk kërkuam as lavdi prej njerëzve ‑ as prej jush as prej tjetërkujt ‑ edhe pse mundëm ta vëmë në pah autoritetin tonë si apostuj të Krishtit. 7 Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. 8 Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër. 9 Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. 10 Dëshmitarë ju kemi ju dhe Hyjin se me ç’mënyrë të shenjtë, të drejtë dhe të patëmetë jemi sjellë kundrejt jush, besimtarëve. 11 Dhe, siç e dini, secilin prej jush ‑ si babai fëmijët, 12 e kemi nxitur, i kemi dhënë zemër dhe e kemi përbetuar të jetojë në mënyrë të denjë për Hyjin që ju thërret në Mbretërinë e vet dhe në lumturi.

13 Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është ‑ porsi fjalën e Hyjit ‑ që vazhdimisht vepron në ju që besoni.

14 Në të vërtetë, o vëllezër, ju u përngjatë Kishave të Hyjit që janë në Jude në Krishtin Jezus, sepse edhe ju keni vuajtur prej bashkëvendasve tuaj atë që edhe ata e pësuan prej çifutëve. 15 Këta e vranë edhe Zotin Jezus dhe profetët. Na salvuan edhe ne. Ata nuk i pëlqejnë Hyjit. Janë armiq me të gjithë njerëzit l6 duke u munduar të na e ndalojnë ë predikojmë paganëve që ta fitojnë shëlbimin. Kështu çifutët në çdo kohë e mbushin masën e mëkateve të veta. Por tekembramja, ra mbi ta hidhërimi i Hyjit.

Dëshira e Palit të vizitojë përsëri Kishën

17 E ne, vëllezër, pasi u ndamë prej jush për pak kohë ‑ larg me sy e jo me zemër ‑ gjithnjë e më fort, prej dëshirës së madhe na mori malli të vijmë t’ju shohim. 18 Prandaj edhe deshëm të vijmë te ju ‑vetë, unë Pali, disa herë, por na pengoi satani. 19 Sepse, kush tjetër do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, mburrja për kurorën tonë para Zotit tonë Jezus në Ditën e Ardhjes së tij ‑ po qe se nuk do të jeni edhe ju? 20 Jo, po, ju jeni nderi dhe gëzimi ynë!

1 e Selanikasve: 3. vendosëm të qëndrojmë vetëm në Athinë

3

1 Prandaj, kur s’mundëm më të durojmë, vendosëm të qëndrojmë vetëm në Athinë 2 dhe dërguam Timoteun, vëllain tonë dhe bashkëpunëtorin e Hyjit në përhapjen e Ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë dhe t’ju japë zemër në fe, 3 në mënyrë që askush prej jush të mos lëkundet në këto vështirësi. Sepse edhe ju vetë e dini se jemi të caktuar për këtë: 4 vërtet, kur ishim ndër ju, ju kemi parakallëzuar se do të na ndodhin këso vështirësish, gjë që, siç e dini, edhe ndodhën. 5 Prandaj edhe vetë, duke mos mundur të duroj më, e dërgova që të mund ta di gjendjen e fesë suaj, prej frikës se mos ju ka tunduar Tunduesi dhe mos na ka shkuar mundi hupës.

6 Por tani, kur u kthye Timoteu prej jush ndër ne dhe na solli lajmin e gëzueshëm të fesë dhe të dashurisë suaj dhe se na mbani në kujtim të mirë dhe dëshironi të na shihni ‑ sikurse edhe ne ju, 7 këndej, o vëllezër, në mes të këtyre vështirësive dhe provave që kemi, gjetëm në ju ngushëllim në saje të fesë suaj. 8 Jo, po, tani rijetojmë, pasi ju jeni të qëndrueshëm në Zotin! 9 Dhe, me ç’falënderim do të mund ta falënderojmë Hyjin për ju, për të gjithë këtë gëzim me të cilin galdojmë për shkak tuaj para Hyjit tonë. 10 Natë e ditë lutemi me gjithë afshin e zemrës që të mund ta shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë çka ende i mungon fesë suaj.

11 Dhe Hyji vetë, Ati ynë, dhe Jezusi, Zoti ynë, e drejtoftë udhën tonë kah ju! 12 Bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj jush! 13 i i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.

1 e Selanikasve: 4. Si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit

4

1 Pastaj, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, siç mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër.

2 Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus. 3 Vullneti i Hyjit është ky: shenjtërimi juaj ‑ të ruheni nga fëlligështia 4 që secili të dijë të jetojë me gruan e vet në shenjtëri e me nder 5 dhe jo në prirje të ulëta porsi paganët që nuk e njohin Hyjin 6 e në këtë gjë mos t’i mohohet e drejta vëllait as mos të gënjehet, sepse Zoti është hakmarrës për të gjitha këto, siç ju kemi thënë më parë dhe jua kemi dëshmuar. 7 Jo po, Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri. 8 Prandaj, kush i përbuz këto urdhërime, nuk përbuz një njeri çfarëdo, por vetë Hyjin që ju jep Shpirtin Shenjt të vetin.

9 Lidhur me dashurinë vëllazërore nuk është nevoja t’ju shkruaj sepse vetë Hyji ju ka mësuar ta doni njëri‑tjetrin. 10 Këtë ju e bëni, vërtet, kundrejt të gjithë vëllezërve që janë në mbarë Maqedoninë; porse, vëllezër, ju nxisim që në këtë gjë të përparoni gjithnjë e më tepër, 11 të kujdeseni të jetoni në paqe; të shikoni punët tuaja dhe të punoni me duart tuaja, siç ju kemi urdhëruar, 12 që të jetoni me nder kundrejt atyre që nuk janë në fe dhe të mos e keni nevojën e kujt.

Ardhja e Zotit

13 Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. 14 E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t’i marrë në lumturi.

15 Këtë po jua themi të bazuar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në Ditën e Ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. 16 Sepse vetë Zoti ‑ kur të jepet urdhri, me zë të kryeengjëllit, me zë të borisë së Hyjit ‑ do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, 17 dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. 18 Pra, ngushëlloni njëri‑tjetrin me këto fjalë!

1 e Selanikasve: 5. Qortimet dhe përshëndetjet e fundit

5

1 Dhe për sa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj, 2 sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen pikërisht si vjen vjedhësi natën. 3 Ndërsa njerëzit do të thonë: “Ç’paqe dhe ç’siguri!”, pikërisht atëherë, porsi dhimbjet e lindjes së gruas shtatzënë, do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.

4 Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi: 5 sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ! 6 Atëherë të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë! 7 Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën, 8 ndërsa ne që jemi të ditës, të jemi të përkormë, të veshim për pancir fenë dhe dashurinë, kurse për përkrenare që na shpëton të vëmë shpresën! 9 Sepse Hyji nuk na ka caktuar për të qenë të ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, 10 i cili vdiq për ne që ‑ ende të gjallë ose të vdekur ‑ të jetojmë bashkë me Të. 11 Prandaj, ngushëlloni njëri‑tjetrin, ndërtoni njëri‑tjetrin, ashtu siç jeni duke bërë.

Qortimet dhe përshëndetjet e fundit

12 Ju bëjmë lutje, vëllezër, dëgjoni ata që veprojnë ndër ju, që kujdesen për ju në Zotin dhe që ju qortojnë; 13 çmojeni dhe nderojeni me dashuri për arsye të veprimtarisë që kryejnë ndër ju!

Jetoni në paqe me shoqi‑shoqin! 14 Ju nxisim, vëllezër, t’i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepuni zemër frikacakëve, ndihmojini të ligshtët, jini bujarë me të gjithë! 15 Kini mendjen që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt!

16 Gëzohuni gjithmonë!

17 Lutuni pa pushim!

18 Për gjithçka falënderoni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin!

19 Mos e pengoni Shpirtin Shenjt që të veprojë në ju!

20 Profecitë mos i përbuzni!

21 Çdo gjë shqyrtojini me kujdes: mbani të mirën!

22 Çdo lloji të keqeje rrijini larg!

23 Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj ‑ shpirti, jeta dhe trupi ‑ u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! 24 Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu!

25 Lutuni edhe për ne, o vëllezër!

26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë!

27 Ju përbetoj me Zotin: kjo letër le t’ju lexohet të gjithë vëllezërve.

28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju!