Jona: 1. Jona kundër dërgimit të vet

1

1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës, birit të Amatit, e i tha: 2

“Çohu e shko në qytetin e madh të Ninivës e prediko në të se fajësia e tyre ka arritur deri tek unë.”

3 Jona u çua për të ikur në Tarsis, larg prej Zotit. Zbriti në Jope, gjeti një anije që udhëtonte për Tarsis, pagoi çmimin e udhëtimit e hyri në të për të shkuar me ta në Tarsis, larg prej Zotit.

4 Por Zoti çoi në det një erë të madhe dhe në det u çua një stuhi e madhe sa që anija ishte në rrezik të copëtohej. 5 Detarët i kapi frika e secili e thirrte në ndihmë zotin e vet dhe, për ta lehtësuar anijen, i hodhën barrët në det. Ndërkaq Jona ishte ulur në fund të anijes, kishte rënë e po flinte me gjumë të rëndë. 6 Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: “Çka? Ti po vdes në gjumë!? Çohu, thirre në ndihmë Hyjin tënd! Ndoshta Hyji mendon për ne e nuk mbytemi.” 7 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Ejani të hedhim short e të dimë pse na gjeti kjo e keqe.” Hodhën short e shorti ra mbi Jonën.

8 Atëherë i thanë: “Na trego për ç’shkak na erdhi kjo e keqe.

Cila është thirrja jote? Nga po vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?” 9 Ai iu përgjigj: “Unë jam hebre, adhuroj Zotin, Hyjin e qiellit, i cili krijoi detin e tokën.” 10 Njerëzit i kapi frikë e madhe e i thanë: “Pse bëre kështu!” E kishin marrë vesh se po ikte larg prej Zotit, madje edhe vetë u tregoi. 11 Ata e pyetën: “Çfarë të bëjmë me ty që të qetësohet deti?” Sepse deti vinte e trazohej gjithnjë e më tepër. 12 Ai u tha: “Më kapni e më hidhni në det e deti do të qetësohet. Sepse e di mirë se kjo stuhi e madhe u çua kundër jush për shkakun tim.”

13 Njerëzit u jepnin rremave për t’u kthyer në terik, por s’mundnin sepse deti tërbohej edhe më fort. 14 Atëherë iu lutën Zotit e thanë: “Ah, o Zot, mos lejo të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na e ngarko gjakun e pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke vepruar sikurse ke dashur!” 15 E kapën Jonën dhe e hodhën në det. Deti e qetësoi furinë e vet. 16 Njerëzit i pushtoi një frikë e madhe nga Zoti; i paraqitën fli dhe i bënë kushte Zotit.


Jona: 2. Jona i shpëtuar

2

1 Zoti kishte bërë gati një peshk të madh për ta përpirë Jonën. Jona qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net. 2 Nga barku i peshkut Jona iu lut Zotit, Hyjit të vet, 3 e tha:

“Në ngushticën time e thirra në ndihmë Zotin

e ai më vështroi;

thirra në ndihmë nga gjiri i Nëntokës

e ma dëgjove britmën time.

4 Më flake në humnerë, në zemrën e detit,

e më rrethuan rrjedhat,

të gjitha rrymat e valët e tua

kaluan përmbi mua.

5 Mendja më thoshte: ‘Jam i flakur

larg syve të tu.

E, pra, prapë do ta kundroj

Tempullin tënd të shenjtë.

6 Më rrethuan ujërat deri në grykë,

më mbështolli humnera,

zunkthi u lidh rreth kresë sime!

7 Mbërrita deri në rrënjët e maleve,

shulat e tokës u mbyllën

pas meje për amshim,

por ti e nxore prej gropës jetën time,

o Zot, Hyji im!

8 Po atëherë kur në mua shpirti im u

ngushtua,

mendja vetiu më shkoi te Zoti,

lutja ime mbërriti te ti,

në Tempullin tënd të shenjtë.

9 Ata që adhurojnë idhuj të kotë,

vetvetes ia humbin hirin.

10 E unë me këngë lavdi

Ty do të t’kushtoj fli,

në vend do ta çoj kushtin që kam bërë.

Shëlbimi vjen prej Zotit.”

11 Zoti e urdhëron peshkun, .

Jona: 3. Kthimi i Ninivës e falja hyjnore

3

1 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha:

2 “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” 3 Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit.

E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! 4 Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposet!”

5 Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. 6 I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur. 7 Atëherë shpallën në Ninivë me urdhër të mbretit e të të mëdhenjve të tij: “Njerëz e kafshë, të mëdha e të imëta, të mos kërkojnë gjë me gojë, as të mos kullotin, as ujë të mos pinë. 8 Njerëz e kafshë le të mbulohen me thasë e Hyji le të thirret në ndihmë me të gjitha fuqitë. Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë e nga dhuna që bën. 9 Kush e di: ndoshta Hyji ndërron mendimin, ka mëshirë e fal, e flak zemërimit e vet e nuk sharrojmë.”

10 Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar se do t’ua çojë dhe nuk ua çoi.

Jona: 4. Zemërimi i profetit e përgjigjja hyjnore

4

1 Jona u pikëllua shumë dhe u zemërua.

2 Iu lut Zotit e tha: “Ah, o Zot, a nuk doli pikërisht ashtu siç e mendoja unë, kur ende isha në vendin tim? Kjo ishte arsyeja pse mendoja të iki në Tarsis! Sepse e dija mirë se ti je Hyj i butë e i mëshirshëm, zemërgjerë e mëshirëmadh dhe se e fal të keqen. 3 Tani, pra, o Zot, ma merr jetën, po të lutem, sepse për mua më e mirë është vdekja se jeta.” 4 Zoti iu përgjigj: “A të thotë mendja se e ke me të drejtë të hidhërohesh kështu?”

5 Jona doli prej qytetit e zuri vend përballë, në lindje të qytetit. Punoi aty një kasolle dhe u ul të rrijë nën hijen e saj për të parë se çka do të ndodhë në qytet. 6 Zoti Hyj bëri të mbijë një urth që u rrit përmbi Jonën për t’i bërë hije mbi kokë e për ta shëruar nga pikëllimi i tij. Jona iu gëzua urthit me gëzim tepër të madh.

7 Por, të nesërmen, në agim, Hyji çoi një krimb, i cili e breu urthin dhe urthi u tha. 8 Pastaj, kur u çua lart dielli, Hyji bëri të fryejë era e nxehtë lindore. Edhe dielli e goditi në kokë Jonën. Jona u mek, dëshiroi të vdesë e tha:

“Më mirë është për mua të vdes se të rroj!”

9 Hyji i tha Jonës: “A të thotë mendja se ke të drejtë të hidhërohesh për shkak të urthit?” Iu përgjigj: “Po, kam të drejtë të zemërohem deri në vdekje!” 10 Zoti ia priti: “Ty po të dhimbset urthi rreth të cilit nuk u mundove aspak as nuk bëre asgjë që të rritet, i cili për një natë mbiu e për një natë u tha: 11 e unë të mos e fal Ninivën, qytetin e madh, në të cilin janë më se njëqind e njëzet mijë njerëz, të cilët nuk dinë ta dallojnë të djathtën e vet nga e majta e vet dhe një numër i madh kafshësh?”