1 e Pjetrit: 1. Shpresa jetësore

1

1 Pjetri, apostulli i Jezu Krishtit, besimtarëve shtegtimtarë të shpërndarë nëpër Pont, Galaci, Kapadoki, Azi dhe Bitini, të zgjedhurve 2 në saje të Provanisë së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt për të dëgjuar Jezu Krishtin dhe për të pasur pjesë në shpikjen e gjakut të tij: paçi hir dhe paqe me begati!

Shpresa jetësore

3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, 4 për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; 5 për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbimin që është gati të zbulohet në kohën e fundit.

6 Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, 7 që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit:

8 Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, 9 që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.

10 Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët, të cilët e paralajmëronin hirin e caktuar për ju. 11 Shqyrtonin cila ishte koha dhe rrethanat, që shënonte Shpirti i Krishtit që ishte në ta, kur paralajmëronte mundimet që do t’i vuante Krishti dhe lavditë që do të vinin pas mundiveve. 12 Atyre u qe zbuluar se, jo për ta, por për ju, u treguan ato që tani juve u ungjillëzohen prej predikatarëve tuaj me anë të Shpirtit Shenjt të dërguar prej qiellit, të cilat edhe engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

Thirrje për një jetë të shenjtë

13 Prandaj, shpirtërisht të gatshëm, rrini zgjuar dhe nguleni tërë shpresën tuaj në hirin që ju sjell Zbulesa e Jezu Krishtit. 14 Porsi fëmijë të dëgjueshëm, mos iu përshtatni dëshirave të mëparshme, kur ishit në padije, 15 por, siç është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. 16 Sepse shkruan: »Të jeni të shenjtë sikurse edhe unë jam i shenjtë«.

17 Në qoftë, pra, se ju e quani atë Atë që pa krahmbajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tij, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!

18 Dijeni mirë: nuk jeni shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë gjë të shkatërrueshëm - argjend apo ar, 19 por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë.

20 Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj.

21 Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpesa të jenë në Hyjin.

22 Pasi i pastruat shpirtrat tuaj duke e pasë dëgjuar të vërtetën për t’u dashur sinqerisht si vëllezër: doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt dhe me dashuri të vërtetë, 23 sepse u rilindët jo me farë që prishet, por që nuk merr mort kurrë: me fjalën e Hyjit të gjallë e të amshuar. 24 Sepse: »Të gjithë njerëzit janë si bari, dhe tërë lavdia e tyre porsi lulja e fushës: Bari thahet e lulja vyshket, 25 kurse fjala e Zotit mbetet në amshim«.

Tashti kjo fjalë është Ungjilli që ju qe shpallur.

1 e Pjetrit: 2. Guri i gjallë dhe populli i shenjtë

2

1 Flakni, pra, larg jush, çdo lloj të keqeje, çdo tradhti dhe hipokrizi, smirë dhe shpifje! 2 Porsi foshnjat posa të lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shëlbim 3 në qoftë se vërtet »e keni sprovuar se Zoti është i mirë«.

4 Afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.

6 Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«

7 Për ju, pra, që besoni - nder; kurse për ata që nuk besojnë - guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit«.

8 E: »Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa«. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.

9 Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.

10 Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Popull i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.

Jeta e shërbëtorëve të Hyjit

11 Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t’u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit.

12 Sjellja juaj mes paganëve të jetë shembullore që, pikërisht për ato gjëra në të cilat ju shpifen si të ishit keqbërës, kur t’i shohin veprat tuaja të mira, t’i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.

13 Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit - porsi sundimtarit më të epërm - 14 qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar keqbërësit e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë. 15 Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t’ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamendë. 16 Porsi njerëz të lirë - por jo si ata që lirinë e kanë si mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit - 17 nderojeni çdokënd, duajeni vëllazërinë, duajeni Hyjin, nderojeni mbretin!

Shembulli i Krishtit pësues

18 Shërbëtorë, nënshtrohuni me plot frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve e të butëve, por edhe të mbrapshtëve. 19 Sepse vërtet është hir, kur ndokush për shkak të ndërgjegjes - për dashuri të Hyjit pëson vështirësi duke vuajtur padrejtësisht. 20 Por, çfarë lumturie veç, në qoftë se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbartni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. 21 Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tij: 22 Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tij nuk u gjet gënjim, 23 Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia linte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. 24 Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me plagat e të cilit jeni shëruar. 25 Ishit po, si delet e humbura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpritrave tuaj.

1 e Pjetrit: 3. Gratë e burrat

3

1 Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjojini burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta, 2 duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme. 3 Stolia juaj të mos jetë e jashtme - flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi - 4 por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit. 5 Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e vet. 6 Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante »zotëri«. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.

7 Kështu, edhe ju burra, bashkëjetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja duke pasur parasysh natyrën më delikate të femrës; kini nderim për to, sepse edhe ato bashkë me ju, do ta trashëgojnë hirin e Jetës, në mënyrë që të mos pengohen lutjet tuaja.

Vuajtjet për hir të drejtësisë

8 Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur. 9 Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.

10 E njëmend: »Kush dëshiron ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese, 11 t’i ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë pas saj«.

12 Sepse: »Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen«.

13 Kush do t’iu bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën? 14 por, edhe nëse ndoshta do t’iu duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e druani as mos u trazoni, 15 veçse adhuroni në shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjegje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, 16 por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. 17 Përnjëmend është më mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq.

18 E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t’iu shpiente te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit - 19 Në të edhe shkoi t’u predikojë shpritrave në burg, 20 që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë - vetëm tetë frymë - shpëtuan me ujë.

21 Ky ujë - shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por lutje e drejtuar Hyjit - për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit, 22 që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.

1 e Pjetrit: 4. Mbarështuesi i mirë i hirit të Hyjit

4

1 Këndej, pasi Krishti pësoi në trup, edhe ju armatosuni me të njëjtën bindje: kush ka vuajtur në trup është ndarë plotësisht nga mëkati - 2 që ta kaloi këtë pjesë të jetës tokësore që ju mbetet, jo më sipas parimeve të prirjeve njerëzore, por sipas vullnetit të Hyjit. 3 Sepse, është mjaft që në kohën e shkuar e kryet vullnetin e paganëve duke jetuar në fëlligështi, në dëshirime të ulëta, në zdërhallje, në pije, në punë të pahijshme, në adhurim të palejueshëm të idhujve. 4 Prandaj ata edhe çuditen për ju pse nuk vraponi bashkë me ta në të njëjtin det poshtërsish dhe flasin keq për ju. 5 Ata do t’i japin llogari Atij që është gati të gjykojë të gjallët e të vdekurit. 6 Për këtë arsye u predikua Ungjilli edhe atyre që vdiqën që të gjykohen sipas njerëzve në trup - e të jetojnë sipas Hyjit në shpirt.

7 Për çdo gjë u afrua mbarimi! Zgjohuni, pra, dhe jini të përkormë që t’i kushtoheni lutjes! 8 Para së gjithash kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin, sepse: »Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh«.

9 Jini mikpritës pa murmurima kundrejt shoqi-shoqit. 10 Shërbejini njëri-tjetrit, secili sipas dhuratës që keni marrë: si mbarështues të mirë të hirit të shumëllojshëm të Hyjit. 11 Kush flet, le të flasë për të shpallur fjalën e Hyjit. Nëse ndokush ka dhuratën e shërimit, le ta bëjë me fuqinë që i jep Hyji, që në gjithçka t’i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi e pushteti në shekuj të shekujve. Amen.

Të krishterit i takon të vuajë

12 Fort të dashur! Mos iu çuditni zjarrit të salvimit që është ndezur në mesin tuaj për t’iu vënë në provë, thua se po ju ndodh diçka e jashtëzakonshem, 13 por, përkundrazi, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. 14 Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju. 15 Por vëriani mendjen që asgjë ndër ju të mos vuajë o si vrastar, o si vjedhës, o si keqbërës ose edhe vetëm si njeri që përzihet në punët e huaja; 16 por, nëse vuan si i krishterë, kurrsesi të mos ketë turp, por ta lavdërojë Hyjin për shkak të këtij Emri. 17 Sepse, arriti dita të fillojë gjyqi nga shtëpia e Hyjit. E, nëse më së pari fillon prej nesh, po si do të jetë atëherë mbarimi i atyre që nuk i binden Ungjillit të Hyjit?

18 »Në qoftë se i drejti mezi shëlbohet, po çka do të ndodhë me të mbrapshtin e me mëkatarin

19 Këndej, edhe ata që pësojnë sipas vullnetit të Hyjit, me vepra të mira le t’ia porosisin shpirtrat e vet Krijuesit besnik.

1 e Pjetrit: 5. Përgjegjësit e Grigjës së Hyjit

5

1 Eprorëve, pra, që janë tek ju u jap vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta, dëshmitar i mundimeve të Krishtit dhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: 2 ruajeni grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhuni, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, 3 jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. 4 E kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

5 Gjithashtu edhe ju të rinj, dëgjojini eprorët. Dhe të gjithë së bashku, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, vishuni me përvujtëri, sepse: »Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvuajturve u jep hirin«.

6 Përkundrazi, pra, nën të pushtetshmen dorën e Hyjit, që në kohën e duhur t’iu lartësojë. 7 Lërini në dorën e tij të gjitha kujdeset tuaja, sepse Ai kujdeset për ju!

8 Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. 9 Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njëjtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë.

10 Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshur në Jezu Krishtin. Ai, pasi të vuani për pak kohë, do t’iu përsosë, do t’iu përforcojë, do t’iu japë fuqi dhe do t’iu bëjë të patrandshëm.

11 Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!

12 Po ju shkruaj shkurtimisht me ndihmën e Silvanit, të cilin e çmoj vëlla besnik, që t’iu përkujtoj dhe t’iu dëshmoj se ky është hiri i vërtetë i Hyjit. Qëndroni në të!

13 Ju bën të fala Kisha e të zgjedhurve që është në Babiloni, si edhe im bir, Marku.

14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje vëllazërore!

Paqja me të gjithë ju që jeni në Krishtin!