Libri i Psalmeve Një libër lutjeje Sikurse edhe popujt e tjerë të Lindjes, po ashtu edhe populli i Izraelit, ka pasur prirje të fortë për poezi. Këngë - poezi të shpërndara nëpër librat e ndryshëm të Shkrimit shenjtë gjejmë mjaft. Në Shkrimin shenjtë poezi në vete janë Psalmet. Emërtimi - Emri i këtij Libri a i këtyre këngëve vjen nga vegla muzikore, me të cilën përcilleshin këto këngë kur këndoheshin. Kjo vegël quhej “Psalterion” e ishte vegël muzikore me korda. Hebraisht quhet: “Sefer tehil’lim” ose thjesht “Tehil’lim” - “Libri i himneve” ose “Himnet”. Vulgata si dhe Vulgata e re e quajnë: “Libri i psalmeve”, që do të thotë: “Libri i këngëve të punuara për t’u kënduar të përcjella me vegël muzikore me korda”. Numri - Si në origjinalin hebraisht, po ashtu edhe në përkthimin greqisht /LXX/ dhe në Vulgatë numri i psalmeve është 150. Në të vërtetë LXX bien edhe Psalmin 151, porse ky nuk gjendet në tekstin hebraik dhe Kisha askurrë nuk e ka pranuar për kanonik - të frymëzuar. Në renditjen /numërimin/ e Psalmeve nuk ndiqet e njëjta mënyrë në origjinal e në përkthimet e Vulgatës. Kjo ka ndodhur sepse ndarja e Psalmeve nuk është bërë në të njëjtën mënyrë. Ne do të ndjekim mënyrën e rëndomtë që bëhët /të tillë siç e ka Vulgata e Re/: në kllapa do të shënohet numri i Vulgatës. Ndarja - Psalmet janë të ndara në pesë libra me rëndësi jo të barabartë: Libri i parë: 1-41; Libri i dytë: 42-72; Libri i tretë: 73-89; Libri i katërt: 90-106; Libri i pestë: 107-150. Por, në mbështetje të përmbajtjes së Psalmeve, biblistët e tanishëm ato i ndajnë në tri grupe: a/ Himne lavdie - Në këtë grup përfshihen Psalmet: 8, 19, 29, 33, 46-48, 76, 84, 87, 93, 96-100, 103-106, 113, 114, 117, 122, 135, 136, 145, 150. Komponimi pothuajse është gjithmonë i njëjtë: pas ftesës për të lavdëruar Zotin, vjen arsyeja e lavdërimit: mrekullitë në natyrë - krijimi, kujdesi i Hyjit në historinë e njerëzimit për shëlbim. Brenda këtij grupi veçanërisht dalin në pah dy lloje Psalmesh: këndimet e Sionit /Ps 46, 48, 76, 87/ dhe këndimet për nder të Zotit - Mbretit të gjithësisë, ku del në shesh qëllimi i kuptimit të qenies hyjnore - të Hyjit, Mbretit, jo vetëm të Izraelit, po të mbarë popujve të botës /Ps 47, 93, 96-98/. b/ Psalmet e lutjes - ose të ankimit, ose të vajtimit. Ky grup Psalmesh nuk këndon lavdinë e Hyjit, por Atij i drejtohet për ndihmë. Zakonisht fillon me një kushtrim për ndihmë e në trupin e Psalmit bëhet çmos për ta nxitur Hyjin që ta largojë atë të vështirë për të cilën kërkohet ndihma. Ky grup, pastaj, ndahet në dy degë: 1/ nëse flet për nevojën e një personi, atëherë është personal - individual, 2/ nëse flet për një vështirësi kombëtare a kolektive, atëherë është kolektiv. Kështu Psalme të lutjes kolektive janë: 12, 44, 60, 74, 79, 80, 83, 85, 106, 123, 129, 137. Rasti nxitës është një vështirësi shkatërruese kombëtare, një uri e gjithmbarshme apo diçka tjetër si këto. Ndër Psalme me qëllime individuale merren: 3, 5-7, 13, 17, 22, 25, 26, 28, 31, 35, 38, 42, 43, 51, 54-57, 59, 63, 64, 69-71, 77, 86, 102, 120, 130, 140-143. Ankimet për të cilat bëhet fjalë, janë të shumta e të larmishme: rreziku i ndjekjes prej armikut, salvime të ndryshme, mërgimi, pleqëria etj. etj. c/ Psalmet e falenderimit - Edhe ky grup ndahet në dy degë: falenderimit individuale a kolektive, sipas falenderimit që bëhet në emër të individit a të bashkësisë. Përpos këtyre tri elementeve kryesore: himnit, lutjes e falenderimit, hyjnë edhe elemente të tjera. Kështu elementin profetik - parakallëzues e takojmë ndër Psalmet 2, 50, 71, 81, 82, 85, 95, 110 etj. Të gërshetuar me këtë element profetik janë edhe Këndimet Sionit e Këndimet Zotit, Mbretit të gjithësisë. Pasi mbreti në Izrael duhej “shuguruar” hebr. “Mashiah - Mesia” kështu u trajtuan Psalmet mesiane. Drejtpërsëdrejti për Mesinë flasin këto Psalme: 2, 45, 72, 110. Pikërisht Psalmi 110 është cituar më së shumti në BR! Autori - Siç ia ka mbështetur tradita e vjetër Librat e Dijes mbretit Salomon, po ashtu edhe Librin e Psalmeve ia ka mbështetur mbretit David, këngëtarit të madh dhe rregulluesit të kultit në Izrael. Me siguri do të ketë shumë Psalme që arrijnë deri në kohën e Davidit, por kur vjen çështja që të përcaktohet se cilat Psalme janë ato, atëherë puna del shumë më e vështirë se kujton njeriu. Titujt e Psalmeve - të cilët nuk mbahen për pjesë të frymëzuara, nuk na thonë shumë, pasi ata na flasin më tepër se cilës pjesë, cilit grup psalmesh i takon sesa për autorin. Edhe Psalteri e ka historinë e zhvillimit të vet dhe ka lidhje të ngushtë me librat e tjerë të BV, sidomos me Ligjin e Përtërirë e me Profetët. Përdorimi - Me kohë Psalmet u bënë pjesë e lutjeve të caktuara për Tempull. Në ta pasqyrohet krejt përshpirtnia e BV. Ato shprehin lidhjen e ngushtë me përjetimin shpirtëror të Popullit të zgjedhur me Hyjin e Besëlidhjes. Psalmet jetojnë e vazhdojnë të përdoren edhe në krishterim. Ato bëhen lutje zyrtare e Kishës. Vlera shpirtërore - Nuk është vështirë të kuptohet rëndësia dhe vlera e madhe shpirtërore e Psalmeve. Elementi religjioz është gjithkund i dukshëm. Vetë Hyji i ka shndritur autorët e Psalmeve për t’i vënë në dukje ato vlera shpirtërore që më shumë tregojnë qëndrimin e njeriut ndaj Krijuesit. Klithma e shprehur prej autorëve të këtyre poemave: himne lavdie Hyjit, kushtrim për ndihmë me lutjet e ankimit, të vajtimit e të falenderimit janë gjëra që sa të jetë njeriu - krijesë dhe Krijuesi - Hyji, nuk mund të mbarojnë askurrë, prandaj edhe vlera e tyre mbetet e përhershme. Theksimi i huamarrjes - Njeriu duke i lexuar por, sidomos duke i përdorur si lutje, has në disa vende në Psalme në nëmë të mëdha, mallkime të forta e sidomos në kërkesa huamarrjeje kundër armikut, saqë shpesh mbetet i habitur. Por ato nuk duhen kuptuar ashtu, si të ishin shkruar në ditët tona, por duhet ditur se janë shkruar para dritës së ungjillit dhe janë vënë në gojën e të përndjekurit të pafajshëm. Ato janë thirrje për drejtësinë hyjnore kundër atij që përdor dhunën dhe kanë domethënien se Hyji nuk mund ta durojë të keqen që shkakton njeriu kundër njeriut ose edhe kundër njerëzve - vëllezërve të vet. Por, dorën në zemër, këto Psalme përmbajnë diçka që edhe në zemrën tonë rri disi e strukur dhe ku hiri i mësimit të Krishtit nuk ka mundur ende të depërtojë. Por duhet menduar se këto Psalme kanë edhe një vështrim shumë më të thellë: dikur thuheshin kundër njeriut të paudhë, dhunues, kurse sot kanë për qëllim luftimin e së keqes që Zoti gjithmonë e urren e Krishti e ka mundur, e jo më kundër personit; kundër mëkatit e jo kundër mëkatarit. LIBRI I /PSALMET 1 - 41/ PSALMI 1 Dy udhët 1 Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve e nuk rri së bashku me përqeshës, 2 por kënaqet në Ligjin e Zotit dhe e kujton atë ditë e natë. 3 Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, e cila frytin e vet e jep në stinë dhe gjethet kurrë s’i vyshken: i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë. 4 Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, por ata janë porsi byku që shpërndan era. 5 Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit as mëkatarët bashkimit të të drejtëve! 6 Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, kurse udha e keqbërësve do të mbarojë. PSALMI 2 Drama mesianike 1 Përse paganët çohen peshë e përse popujt bluajnë punë të kota? 2 Mbretërit e tokës po ngrihen, princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij: 3 “Le t’i këputim vargjet e tyre, le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre”! 4 Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, i Larti Zot i përqesh ata! 5 Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, me zemërimin e hidhërimit të vet i huton: 6 “Unë e kam shuguruar mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë”! 7 Unë do ta shpall vendimin e Zotit. Ai më tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda! 8 M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka. 9 Sundo mbi ta me skeptër hekuri dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari”! 10 E tanipra, merrni vesh, o mbretër, mësoni ju që gjykoni dheun! 11 Shërbejini Zotit me druajtje të madhe, nënshtrojuni Atij me nderim e dridhje, 12 bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet e të sharroni nga udha. Papritmas flakë i ndizet zemërimi. Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të! PSALMI 3 Lutja në mëngjes e të drejtit të përndjekur 1 Psalm. I Davidit. Kur u arratis para birit të vet Absalomit. Sa shumë janë, o Zot, ata që më salvojnë! Sa shumë nga ata që po më çohen kundër! 3 Shumë janë ata që thonë për mua: “As Hyji më nuk do ta shpëtojë”! 4 Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, nderi im që lart ma mban kokën! 5 Zërin tim e lartësoj te Zoti dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë. 6 Unë bie në shtrojë e fle e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan. 7 Jo, nuk i druaj njerëzit edhe me mijëra në qofshin që përqark më rrethojnë porsi armiq. Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im! 8 Shpullë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, dhëmbët ua thyen mëkatarëve! 9 Shpëtimi vjen prej Zotit: bekimi yt mbi popullin tënd! 2 PSALMI 4 Lutja e mbrëmjes 1 Mjeshtrit të korit. Për istrumente me korda. Psalm. I Davidit. Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! Ti që më shpëtove në vështirësi: ki mëshirë për mua e ma dëgjo lutjen! 3 Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? Përse e doni kotësinë e ndiqni gënjeshtrën? 4 Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë. 5 Zemërohuni e mos mëkatoni, përsiatni në zemrat tuaja, në shtrojat tuaja e qetësohuni. 6 Flijoni fli drejtësie e shpresën kijeni në Zotin! 7 Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë”? 2 Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! 8 Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë! 9 Posa bie në shtrojë gjumi menjëherë më merr në qetësi, sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë. PSALMI 5 Lutja e mëngjesit 1 Mjeshtrit të korit. Me fyej. Psalm. I Davidit. Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, kuptoje dënesën time! 3 Dëgjoje zërin e britmës sime, Mbreti im e Hyji im! 4 Sepse ty ta drejtoj lutjen time, o Zot, që në mëngjes e dëgjon zerin tim: që në mëngjes dal para teje e pres. 5 Sepse ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia, pranë teje nuk ka vend keqbërësi, 6 keqbërësit nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu. 7 Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq, i zhduk të gjithë ata që flasin gënjeshtra; Të neverit gjakësori e tradhtari. 8 E unë në saje të dashurisë sate të madhe do të hyj në Shtëpinë tënde, do të bie përmbys me nderim në Tempullin tënd të shenjtë. 9 O Zot, më prij udhës së drejtësisë sate, për shkak të armiqve të mi, rrafsho para meje udhën tënde. 10 Jo, s’ka çiltërsi në gojën e tyre, humnerë është zemra e tyre, gurmazi i tyre varr i hapur e me gjuhë përkëdhelin. 11 Ndëshkoji ata, o Perëndi, poshtë le t’u bien synimet, dëboji për shkak të pabesive të shumta të tyre, sepse ngritën kokë kundër teje, o Zot. 12 Le të gëzohen ata që mbështeten në ty, le të galdojnë përherë e në amshim! Mbroji dhe le të gëzohen në ty të gjithë ata që e duan Emrin tënd! 13 Sepse ti, o Zot, e bekon të drejtin, si shqyt e mbron dashamirësia jote. 2 PSALMI 6 Thirrje në ndihmë në vështirësi 1 Mjeshtrit të korit. Për instrumenta me korda. Në oktavë. Psalm. I Davidit. O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd as mos më ndëshko në hidhërimin tënd! 3 Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, më shëro, o Zot, se u thërmuan eshtrat e mi. 4 Shpirti im është tejet i shqetësuar, e ti, o Zot - e deri kur... ? 5 Kthehu, o Zot, deh më shëro, më shpëto në saje të mirësisë sate! 6 Sepse ndër të vdekur kush të kujton, në Nëntokë kush të këndon lavde? 7 Plasa duke gjëmuar, natë për natë e laj shtratin tim, me lotët e mi e laj shtrojën time. 8 Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, u plaka mes armiqve të mi. 9 Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime! 10 Zoti e dëgjon lutjen time, Zoti e pranon lutjen time! 11 U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi e, të çnderuar, shpejt u kthefshin mbrapa! 2 PSALMI 7 Lutja e të drejtit të përndjekur 1 Ankim. I Davidit. E këndoi për nder të Zotit për shkak të fjalëve të Kus Beniaminasit. Ndore tënde, o Zot, Hyji im! Më shpëto prej të gjithë salvuesve të mi e më liro 3 që të mos ma rrëmbejnë shpirtin porsi luani që shqyen kur s’ka kush të shpëtojë! 4 Por, o Zot, Hyji im, nëse veprova kështu: nëse gjendet padrejtësi në duart e mia, 5 nëse ia ktheva me të keqe bamirësit tim, nëse e kurseva salvuesin e padrejtë, 6 më ndjektë armiku e më pushtoftë: jetën time përdhe e shqelmoftë, nderin tim pluhur e bëftë! 7 Ngrihu, o Zot, në zemërimin tënd, ngrihu kundër tërbimit të armiqve të mi, ngrihu, Hyji im, në gjyqin që caktove! 8 Le të të rrethojë kuvendi i popujve, por ti prej së larti sillu kundër tij! 2 9 Zoti vendos mbi çështjet e popujve! Më gjyko, o Zot, sipas drejtësisë sime, dhe sipas pafajësisë sime. 10 Le të zhduket fajësia e mëkatarëve, lart ngrite të drejtin, Hyji i drejtë, që shqyrton zemrat e veshkat! 11 Mburoja ime është në Hyjin që i shpëton zemërdrejtët. 12 Hyji është gjykatës i drejtë, i fortë e që zemërohet çdo ditë. 13 Vallë, a s’do ta mprehë përsëri shpatën e vet, s’do ta ngrehë harkun e s’do ta mbajë gati? 14 Gati i bëri armët vdekjeprurëse, shigjetat e veta flakë i skuqi! 15 Ja, keqbërësi lindi padrejtësinë: ngjizi shpirtligësinë e lindi tradhtinë. 16 Hapi gropën dhe e thelloi: ai vetë bie në gropën që çel. 17 Shpirtligësia e tij do të bjerë mbi kokë të tij, dhuna e tij do t’i bjerë në majë të kokës së tij! 18 E unë do ta lavdëroj Zotin, sepse është i drejtë, lavde do t’i këndoj Emrit të të Lartit Zot. PSALMI 8 Bujaria e Krijuesit e fuqia e Emrit të tij Mjeshtrit të korit. Në mënyrë këndimi me “Shtrydhës...” Psalm. I Davidit. O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! Me madhëri e tejkalon edhe qiellin! 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave lavdinë e bëre gati kundër armiqve që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës. 4 Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, 5 çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të? 6 E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e shkëlqim, 7 i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Gjithçka vure nën këmbët e tija: 8 delet e kafshët të gjitha, për më tepër edhe egërsirat e fushës, 9 shpëndët e ajrit dhe peshqit e detit, të gjitha që përshkojnë udhët e detit! 10 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! 1 2 PSALMI 9 Hyji i përul keqbërësit e shpëton të përvuajturit 1 2 Mjeshtrit të korit. Sipas këndimit: “Vdis për djalë...” Psalm. I Davidit. Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, i shpall të gjitha mrekullitë e tua. 3 Gëzohem dhe galdoj në ty, i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot! Bet 4 Armiqtë e mi u kthyen prapazi, ranë përdhe e sharruan ndër syte e tu, 5 sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë! Gimel 6 Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës! 7 Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta. He 8 Zoti sundon në jetë të jetës, e vendosi fronin e vet të gjykojë; 9 Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, ua jep popujve dënimin e drejtë. Vau 10 Zoti është strehimi i të salvuarit, vend i sigurt për ditë të vështira. 11 Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot. Zain 12 Këndoni Zotit që banon në Sion, kumtoni ndër popuj mrekullitë e tija! 13 Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë. Het 14 Ki mëshirë për mua, o Zot, shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, më shpëto prej derës së vdekjes 15 për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua para dyerve të qytetit Sion i gëzuar për shëlbimin tënd. Tet 16 U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë, 17 Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta! Jod 18 Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit! Kaf 19 Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë. 20 Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, para teje le të gjykohen paganët! 21 Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz. PSALMI 10 /Vg 9, 22-39/ Lamed 1 Përse, o Zot, qëndron larg, përse fshihesh në ditë të vështirë? 2 Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston! 3 I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, lakmuesi shan Hyjin me përbuzje. Nun 4 Me krenarinë e vet mëkatari e përbuz Zotin: “S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka”! 5 Ja, gjithçka ai mendon! Dhe prapë, udhët e tija janë plot suksese, gjyqet e tua janë tepër lart për të, të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë. 6 Në mendjen e vet thotë: “Nuk do të bie poshtë, brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë”! Fe 7 Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi! 8 Rri në pritë ndër fshatra, në fshehtësi e vret të pafajshmin. Sade 9 Me sy e vrojton të vobektin, në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull, përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak. 10 Sulet, struket në pritë e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre. 11 Tha në zemër të vet: “Hyji harron, ai nuk shikon, askënd nuk sheh”! Kof 12 Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, mos i qit në harresë të mjerët! 13 Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? Sepse ai tha në zemrën e vet: “Nuk do të ndëshkosh”. Res 14 E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, me dorën tënde i peshon: në ty mbështetet i mjeri, ti ia jep bonjakut sigurinë. Sin 15 Copëtoje krahun e dhunuesit e të keqbërësit: kërkoje fajin e tij derisa ta zhdukësh prej faqes së dheut. 16 Zoti është mbret në shekuj të shekujve: do të zhduken paganët prej dheut të tij. Tau 17 Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, forcoja zemrën, ti prirja veshin, 18 për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë! PSALMI 11/10/ Shpresa e të drejtit 1 Për mjeshtrin e korit. I Davidit. Jam ndore të Zotit! Përse atëherë i thoni shpirtit tim: “Fluturo si shpend në mal! 2 Ja, keqbërësit harkun e shtrënguan, mbi kordë shigjetën vendosën për t’i shigjetuar fshehtas të drejtët. 3 Kur themelet janë të luhatura, çfarë mund të bëjë i drejti”? 4 Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë, Zoti fronin e ka në qiell. Sytë e tij vëzhgojnë të vobektin, qerpikët e tij shqyrtojnë bijtë e njerëzve. 5 Zoti shqyrton të drejtin e të paudhin, ai e urren atë që e do paudhësinë. 6 Mbi mëkatarë do të bëjë të bjerë prush: zjarr, sulfur e stuhi është pjesa e trashëgimit të tyre. 7 Zoti është i drejtë e drejtësinë e ka për zemër: të drejtët do ta shikojnë fytyrën e tij. PSALMI 12 /11/ Kundër botës gënjeshtare 1 Mjeshtrit të korit. Në oktavë. Psalm. I Davidit. Më shpëto, o Zot, se e pati shenjti, sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan bësnikët! 3 Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: 2 flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër. 4 Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha! 5 Ata thonë: “Fuqia jonë është gjuha, buzët tona janë tonat! Kush është zotëria ynë”? 6 “Për shkak të mjerimit të të varfërve, për shkak të klithmës së të ndrydhurve tani do të ngrihem - thotë Zoti e do ta shpëtoj atë që e përbuzin”. 7 Fjalët e Zotit janë të pastra: argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, i pastruar shtatë herë! 8 Por ti, o Zot na ruaj, na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë 9 e atëherë le të sillen rreth nesh keqbërësit, le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve! PSALMI 13 /12/ Klithma me shpresë 1 Për mjeshtrin e korit. Psalm. I Davidit. E deri kur, o Zot, do të më harrosh krejtësisht? Deri kur do ta fshehësh fytyrën tënde prej meje? 3 Deri kur do të shqetësohem në shpirt, në zemrën time do të kem trishtim për çdo ditë? Deri kur armiku do të më rrijë shqipe mbi kokë? 4 Shih e më ndihmo, o Zot, Hyji im! Ndriti sytë e mi që të mos më kapë gjumi i vdekjes, 5 të mos thotë armiku: “Ngadhënjeva mbi të!”, që të mos gëzohen salvuesit nëse rrëzohem ndonjëherë. 6 Por unë jam i sigurt në dashurinë tënde, le të galdojë shpirti im në shpëtimin tënd! Do t’i këndoj Zotit, Bamirësit tim! 2 PSALMI 14 /13/ Njeriu që s’beson në Hyjin 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Tha i marri në zemrën e vet: “Nuk ka Perëndi!” U prishën të gjithë, veprat e tyre të urryeshme, s’ka më njerëz të ndershëm! 2 Prej qiellit Zoti vëren drejt bijve të njerëzve që të shohë në ka ndonjë njeri të mençëm, ndonjë që e kërkon Hyjin. 3 Të gjithë e lanë rrugën, të gjithë së bashku u prishën, s’kanë mbetur nga ata që bëjnë mirë, - s’mbeti asnjë! 4 A thua s’do të zënë mend ata që bëjnë keq, ata që përpijnë popullin tim siç e hanë bukën? Nuk e thërrasin në ndihmë Emrin e Zotit, 5 pra, një ditë do të dridhen prej tmerrit, sepse Hyji është me brezninë e të drejtëve. 6 Dëshironi ndoshta ta çoni kotsynimin e të mjerit? Dijeni veç se Zoti është strehimi i tij. 7 Izraelit i ardhtë shëlbimi prej Sionit! Kur ta kthejë Zoti popullin e vet nga robëria, seç do të gëzojë Jakobi, seç do të galdojë Izraeli! PSALMI 15 /14/ Miku i Zotit 1 Psalm. I Davidit. O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde? Kush do të guxojë të banojë në malin tënd të shenjtë? 2 Vetëm ai që jeton me nder, që vepron me drejtësi e prej zemrës flet të vërtetën, 3 që s’i shpifet kujt me fjalë, që të afërmin s’e dëmton, që shokun nuk e çnderon: 4 ai që keqbërësin e mban për asgjë e i çmon ata që e druajnë Zotin, ai që i përbehet dashamirit të vet dhe ia mban fjalën, 5 nuk jep të holla me kamatë e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit. Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet. PSALMI 16 /15/ Zoti pjesa e trashëgimit tim 1 Miktam. I Davidit. Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore! 2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im, tjetër të mirë nuk kam veç teje”! 3 Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës! 4 I shumojnë të zezat e veta ata që shkojnë pas zotave të huaj. Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat. 5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, në dorën tënde është fati im! 6 Shorti më ra në më të mirën tokë: pjesa e trashëgimit tim më pëlqen shumë! 7 E bekoj Zotin që më dha kuptim, edhe natën veshkat e mia më mësojnë. 8 Zotin e kam gjithmonë para sysh, më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem! 9 Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, mbarë trupi im pushon në qetësi. 10 S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe. 11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde. PSALMI 17 /16/ Lutja e të pafajshmit 1 Lutja. E Davidit Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, vështroje lutjen time, Vëri vesh lutjes sime që del nga buzët joshtiracake. 2 Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën. 3 Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi. 4 Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, në saje të fjalëve të buzëve të tua iu shmanga udhës së të dhunshmit. 5 Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, që këmbët të mos më marrakoten. 6 Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro, ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia, 7 madhëroje mbi mua dashurinë tënde, ti që i shpëton nga armiku ata që shpresojnë në të djathtën tënde. 8 Më ruaj porsi beben e syrit, më fsheh nën hijen e krahëve të tu, 9 prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah, 10 nga zemra e padhimbshme goja u flet krenari. 11 Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë. 12 Të ngjashëm me luanin të gatshëm për pre, me zogun e luanit që rri gati në pritë. 13 Ngrihu, o Zot, dili para, përplase përdhe, me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit! 14 Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jëtë. Mbushjua, ani, me të mirat e tua barkun, le të ngopen edhe fëmijët e tyre e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre! 15 E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, e një ditë, kur të zgjohem, do të kënaqem me praninë tënde. PSALMI 18 /17/ Këngë falënderimi e mbretit 1 Mjeshtrit të korit. E shërbëtorit të Zotit, Davidit, që ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge, kur Zoti e kishte shpëtuar nga pushteti i të gjithë armiqve të tij 2 dhe nga dora e Saulit. Ai tha: Të dua, o Zot, fuqia ime! 3 Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime, Streha ime, Shpëtimtari im! Perëndia im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime! 4 Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi. 5 Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë e Belialit, 6 më lidhën leqet e Nëntokës, po më shtrëngonin prangat e vdekjes: 7 atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, kushtrim i lëshova Hyjit tim: nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij! 8 Toka u trand edhe u tund, u lëkundën themelet e maleve, vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua! 9 Nëpër vrima të hundës tym ngufoi, prej gojës zjarr e flakë buçiti, prush i gjallë prej tij flakëroi! 10 I uli qiejt, poshtë zbriti, nën këmbë re të murrme! 11 Kaluar mbi kerubin fluturoi, lundroi mbi krahët e erërave! 12 Si me vel me errësirë u mbështoll, tenda e tij - errësirë uji, re përmbi re, 13 para fytyrës së tij zhdukeshin retë me breshër e prush të gjallë! 14 Gjëmat e motit qiellit gjëmuan: i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: breshër e prush zjarri! 15 I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata. 16 Atëherë u dukën burimet e ujërave, u zbuluan themelet e rruzullit prej qortimit tënd, o Zot, prej erës së frymës të hidhërimit tënd. 17 Shtriu dorën prej majës e më mori, më nxori nga ujërat e shumta, 18 më shpëtoi nga armiku i fortë, prej atyre që më urrenin, që ishin më të fortë se unë. 19 Më sulmuan në ditën më të keqe, por Zotin e pata krah, 20 Ai më qiti në vendin e shpëtimit, më shpëtoi sepse më kishte për zemër. 21 Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, më shpërbleu sipas pastërtisë së duarve të mia, 22 sepse unë i mbajta udhët e Zotit, nuk u largova prej Hyjit tim. 23 Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje. 24 Jam i pastër para syve të tij, sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit. 25 Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, sepse e pa pastërtinë e duarve të mia. 26 Ti je i mirë me njeriun e mirë, me të pafajshmin je i pafajshëm, 27 me të mbrapshtin ti je i zgjuar. 28 Ti e shpëton popullin e përvuajtur, e krenarët i bën t’i ulin sytë. 29 O Zot, ti e ndez dritëzën time, ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim. 30 Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret. 31 Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të. 32 Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë? 33 Hyji që më ngjesh me fuqi, që e bën udhën time të pastër. 34 Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, ai më vendosi mbi bjeshkët e larta. 35 Ai m’i ushtron duart për luftim e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë. 36 Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, e djathta jote më ndihmoi, mirësia jote më rriti. 37 Ti i zgjeron hapat e mi nën mua e këmbët e mia më nuk më merren. 38 I ndiqja armiqtë e mi e i zija, mbrapa nuk ktheja derisa i shfarosja. 39 I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, rrëzoheshin nën këmbët e mia. 40 Ti më ngjeshe më fuqi për luftë, kurse armiqtë e mi i vure nën mua. 41 Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, kurse ata që më urrejnë i shpërndave. 42 Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj. 43 I grimcova porsi pluhurin para erës, i shkela porsi baltën e rrugës. 44 Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, prijës më bëre ndër popuj paganë: më shërbeu populli që as nuk e njihja! 45 Fjalën time e dëgjojnë me poni, bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin, 46 para meje të huajt tremben, u dridhën në strehimet e veta. 47 Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im! 48 Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! Ti i shtron popujt nën mua, ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur, 49 ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, ti më shpëton prej njeriut të dhunshëm. 50 Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd! 51 Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, e përkrah të shuguruarin e vet, Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim! PSALMI 19 /18/ Zoti Dielli i drejtësisë 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij! 3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë e nata natës ia sjell këtë të vërtetë. 4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, po as zë që do të mund të dëgjohet, 5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, 2 diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës! 6 Diellit në to ia ngrehu tendën: del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, thua vigani pash më pash i bie sheshit! 7 Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, udha e tij kapet në skajin tjetër, asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija. 8 I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin; për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, të miturve u jep dijen. 9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën; urdhri i Zotit është i qartë, dritë u jep syve. 10 E panjollë është frika e Zotit, nuk ndërron në shekuj të shekujve; gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njësoj të drejta. 11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë. 12 Shërbëtori yt me kujdes i mëson: t’i mbash ato është fitore e madhe. 13 Porse kush i heton gabimet? Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta, 14 ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenarisë që të mos më zotërojë ajo, atëherë do të jem i patëmetë, i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh. 15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime, edhe mendimi i zemrës sime para teje, o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im! PSALMI 20 /19/ Lutje për mbretin 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Të dëgjoftë Zoti në ditë të vështirë, zot të daltë Emri i Hyjit të Jakobit! 3 Ta çoftë ndihmën prej Shenjtërores e të mbroftë nga Sioni! 4 i rëntë në mend për të gjitha flitë e tua, u kënaqtë në flinë tënde të shkrumbimit! 5 I plotësoftë të gjitha dëshirat e tua, i çoftë në vend të gjitha synimet e tua! 2 6 U gëzofshim për ngadhënjimin tënd, lart i ngritshim flamujt për nder të Emrit të Hyjit! I plotësoftë Zoti të gjitha kërkesat e tua! 7 Tani po e di se Zoti e shpëton të shuguruarin e vet, e dëgjon nga qielli i vet i shenjtë me fuqi ngadhënjyese të së djathtës së vet. 8 Disa mburren me qerre e disa me kuaj: ne në Emër të Zotit, Hyjit tonë, jemi të fortë. 9 Ata rrëshqitën dhe u rrëzuan, ne qëndrojmë drejt, të pathyeshëm. 10 O Zot, shpëtoje mbretin tonë, na dëgjo kur të të thërrasim në ndihmë. PSALMI 21 /20/ Falenderim për kurorëzimin e mbretit 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, plot hare e mbush shpëtimi yt. 3 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija. 4 Që më parë i dhe bekime të mëdha: mbi kokë i vure kurorë ari të kulluar. 5 T’u lut për jetë e ti i dhe ditë të shumta - në jetë të jetës. 6 E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: e stolise me madhëri e me shkëlqim. 7 Ti e bëre bekim përgjithmonë, e kënaqe me gëzim në praninë tënde. 8 Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet. 9 Dora jote do t’i mbërrijë të gjithë armiqtë e tu, e djathta jote do t’i gjejë ata që të urrejnë. 10 Ditën që të dëftohesh furrë zjarri do t’i bësh, Zoti do t’i përpijë në zemërimin e vet, zjarri do t’i përlajë. 11 Farën e tyre do ta zhdukësh nga dheu, farën e tyre do ta zhdukësh prej mesit të njerëzve. 12 Kanë menduar të ta bëjnë të keqen, bënë trillime: por s’do t’ia dalin. 13 Ti ke për t’i vënë në të ikur, harkun tënd do ta drejtosh në ta. 14 Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, e ne do të këndojmë e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd. 2 PSALMI 22 /21/ Vuajtjet dhe shpresat e të drejtit Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shuta në agim”. Psalm. Davidit. 2 O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime! 3 Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim. 4 E, pra, ti je Shenjti që banon në lavditë e Izraelit. 5 Në ty shpresuan etërit tanë, shpresuan e ti i shpëtove! 6 Ty të thirrrën në ndihmë e gjetën shpëtim, në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan! 7 Vërtet unë jam krimb e jo njeri, turpësi e njerëzve, përbuzje e popullit. 8 Gjithkush më shikon, më përqesh, shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë: 9 “Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!” 10 E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime. 11 Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, që kur më mbante nëna, ti je Hyji im. 12 Mos qëndro larg meje sepse rreziku është afër e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë. 13 Më rrethuan dema të shumtë, mëzetërit e Basanit më qarkuan, 14 përmnershëm e hapin gojën e vet në mua si luani që shqyen e ulërin. 15 Si uji u derdha, m’u zbërthyen eshtrat, m’u bë zemra porsi dylli, shkrihet brenda kraharorit tim; 16 porsi tjegull m’u tha qiellza, gjuha më ngjitet për gurmaz: e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes. 17 Më rrethuan qen me shumicë, turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah. M’i shporuan duart e këmbët 18 mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi, e këta më shikojnë e nuk m’i ndajnë sytë. 19 Petkat e mia ndër vete i ndajnë e mbi petkun tim qesin short. 20 Por ti, o Zot, mos rri larg meje, 1 I fuqia ime shpejto të më ndihmosh! 21 Ma shpëto jetën prej shpatës, prej dorës së qenit të vetmen të mirë që kam! 22 Më shpëto prej gojës së luanit, prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin. 23 E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, do të të lavdëroj në kuvendin e dheut: 24 “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë, mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë! Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë, 25 sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë mjerimin e skamnorit, nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi”. 26 Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet. 27 Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’ 28 Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve. 29 Sepse Zoti është mbret! Ai i sundon kombet! 30 Atë, vetëm atë do ta adhurojnë të gjithë ata që pushojnë nën dhe, para tij do të përmbysen të gjithë ata që kthehen në pluhur. Kurse shpirti im për të do të jetojë, 31 në shërbim të tij do të jetë fara ime, breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, 32 për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: “Kështu bëri Zoti”! PSALMI 23 /22/ Bariu i mirë 1 Psalm. I Davidit. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon. 2 Më pushon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, 3 shpirtin ma përtërin. Ai më prin shtigjeve të drejta në saje të dashurisë së Emrit të vet. 4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim. 5 Ti ma shtron tryezën përpara ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kokën ma lyen, gotën ma mbush plot e përplot. 6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin në të gjitha ditët e jetës sime, do të banoj në shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë. PSALMI 24 /23/ Liturgjia e hyrjes në Shenjtërore 1 Psalm. I Davidit. E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij. 2 Ai vetë e themeloi mbi dete, dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj. 3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? 4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, ai që nuk betohet në gënjeshtër. 5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet. 6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit. 7 “Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! Lartësohuni, o dyer të amshueshme, që të hyjë Mbreti i lavdisë”! 8 Kush është ky Mbreti i lavdisë? Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! Zoti, Ngadhënjyes në luftë! 9 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, lartësohuni, o dyer të amshueshme, që të hyjë Mbreti i lavdisë! 10 “E kush është ky Mbreti i lavdisë? Ai, Zoti i Ushtrive, ai vetë është Mbreti i lavdisë”! PSALMI 25 /24/ Lutja në rast rreziku 1 Davidit. Alef Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim! Bet 2 Hyji im, në ty shpresoj: mos lejo të turpërohem! Të mos ngihen në mua armiqtë e mi, Gimel 3 dhe askush që shpreson në ty mos u turpëroftë! Turpi i mbuloftë ata që për asgjë tradhtojnë. Dalet 4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua e m’i mëso shtigjet e tua. He 5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im, Vau në ty shpresoj gjithmonë. Zain 6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, dhe dashuria jote që është e amshueshme. Het 7 Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë: të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate - për hir të mirësisë sate, o Zot. Tet 8 I ëmbël e i drejtë është Zoti, mëkatarët i kthen në udhë të drejtë, Jod 9 të përvuajtëve u prin në drejtësi, të butëve ua mëson udhën e vet. Kaf 10 Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet. Lamed 11 Pashë Emrin tënd, o Zot, ma fal mëkatin: njëmend është i madh. Mem 12 A ka njeri që e druan Zotin? Vetë Zoti ia mëson udhën që duhet të marrë. Nun 13 Ai do ta kalojë jetën në mirëqenie, pasardhësit e tij do ta trashëgojnë dheun. Sameh 14 Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë, për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet. Ain 15 Sytë e mi përherë i drejtoj te Hyji, sepse ai i nxjerr këmbët e mia prej lakut. Fe 16 Më shiko, o Zot, e ki dhembje për mua, sepse jam i vetmuar e i mjerë. Sade 17 Lehtësoji dhembjet e zemrës sime e më nxirr nga vështirësitë e mia. Kof 18 Shihe përvujtërimin tim dhe mundimin dhe m’i fal të gjitha fajet e mia. Resh 19 Shikoji armiqtë e mi: se ç’u shumuan dhe më urrejnë me urrejtje të tërbuar! Sin 20 Ruaje shpirtin tim dhe më shpëto; mos lejo të turpërohem pasi jam në ndoren tënde. Tau 21 Le të më mbrojë pafajësia dhe drejtësia, sepse në ty e kam vënë shpresën. Fe 22 Shpëtoje, o Hyj, Izraelin prej të gjitha vështirësive të tija. PSALMI 26 /25/ Lutja e njeriut të pafajshëm 1 I Davidit Ma jep të drejtën, o Zot, sepse jetoj në pafajësi, i mbështetur në ty nuk kam se si të ligështohem. 2 Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë, m’i pastro me zjarr veshka e zemër! 3 Para sysh e kam dashurinë tënde, jetoj e veproj sipas drejtësisë sate. 4 Nuk rri me njerëz të këqij as s’bëj shoqëri me njerëz shtiracakë. 5 I urrej mbledhjet e të paudhëve, e me njerëz të pabesë nuk do të rri. 6 Në pafajsi i laj duart e mia e rreth i sillem lterit tënd, o Zot, 7 për ta shpallur botërisht lavdinë tënde, për t’i kumtuar të gjitha mrekullitë e tua. 8 O Zot, e dua shtëpinë ku ti banon dhe vendin ku qëndron Lavdia jote. 9 Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve as jetën time me atë të gjakësorëve. 10 Në duart e tyre është paudhësia, e djathta e tyre është plot dhurata. 11 E unë jetoj në pafajësinë time, më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua. 12 Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejtë: në bashkime do ta bekoj Zotin. PSALMI 27 /26/ Përbri Hyjit nuk ka frikë 1 I Davidit. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem? 2 Kur më sulen keqbërësit për të më ngrënë gjallë, kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen. 3 Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; edhe atëherë jam plot shpresë. 4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj që të jetoj në Shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shijoj kënaqësinë e Zotit e ta vërej Shtëpinë e Zotit. 5 Zoti më fsheh në tendën e vet në ditë të vështirë, më strehon në vend të fshehtë të tendës së vet, më ngre lart mbi qetë. 6 E tani e lartësoj kokën mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, do t’i këndoj Zotit këngë hareje. 7 Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, ki mëshirë për mua dhe më dëgjo! 8 Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”! “Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj”. 9 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd! Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim! 10 Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, por Zoti më mori ndore. 11 Ma trego, o Zot, udhën tënde dhe më drejto shtegut të drejtë për shkak të armiqve të mi! 12 Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rremë, të cilët shfryjnë dhunë. 13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve. 14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin! PSALMI 28 /27/ Lutje dhe falenderim 1 I Davidit. Të thërras në ndihmë, o Zot, Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje, sepse po ndenje shurdh ndaj meje do të bëhem si ata që zbresin në varr. 2 Dëgjoje zërin e lutjes sime kur me afsh të thërras në ndihmë, kur i ngre duart e mia në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë. 3 Mos më merr me mëkatarë e me ata që bëjnë të keqen: flasin për paqe me të afërmit e vet, kurse në zemër përbluajnë të keqen. 4 Shpaguaji sipas veprave të tyre, sipas paudhësisë së veprimeve të tyre. Shpaguaji sipas veprave të duarve të tyre, jepu shpagimin si e meritojnë. 5 Ata e përbuzin veprimin e Zotit, i bëjnë asgjë veprat e duarve të tija: përdhe i përplastë e më mos i ngrittë! 6 Qoftë bekuar Zoti që e dëgjoi zërin e lutjes sime. 7 Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: zemra më gëzohet e me këngën time e falenderoj. 8 Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet. 9 Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: priju e ngriji deri në amshim! PSALMI 29 /28/ Himn për nder të Zotëruesit të stuhisë 1 Psalm. I Davidit. Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit, jepni Zotit lavdinë e fuqinë! 2 Jepni Zotit nderin e Emrit të tij, adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë! 3 Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra, Hyji i madhërishëm gjëmon, Zoti bubullin mbi ujëra të mëdha! 4 Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm, Zoti gjëmon me madhëri! 5 Ja, zëri i Zotit i copëton cedrat, Zoti i thërmon cedrat e Libanit! 6 E bën të kërcejë si viç Libanin, Sarionin si kotorr bizoni! 7 Ja, zëri i Zotit - përhap flakë zjarri, 8 ja, zëri i Zotit e godet shkretëtirën, e godet Zoti shkretëtirën Kades! 9 A ke ç’ndien? Prej tmerrit pjellin shutat, zëri i Zotit i shkurton pyjet! Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi”! 10 Zoti e ka fronin përmbi përmbytje, Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë! 11 Zoti i jep fuqi popullit të vet, Zoti e bekon popullin e vet me paqe. PSALMI 30 /29/ Falenderim për shpëtim nga vdekja 1 Psalm. Këngë në festën e Kushtimit të Tempullit. E Davidit. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua. 3 O Zot, Hyji im, unë të thirra e ti më shërove, 4 ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, më ktheve në jetë që të mos zbres në varr. 5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, falenderojeni Emrin e shenjtë të tij! 6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij e tërë jetën dashamirësia e tij! Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare! 7 Kur nuk më mungonte gjë, thosha: “Askurrë s’do të trandem”! 8 Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem. 9 Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, i lutesha Hyjit tim. 10 Ç’dobi nga gjaku im në qoftë se zbres në shkatërrim? A thua do të të lavdërojë pluhuri, e do ta kumtojë besnikërinë tënde? 11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im. 2 12 Ti vajin ma ktheve në valle, ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare, 13 që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: “O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”! PSALMI 31 /30/ Lutja në ditë të vështirësisë 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Në ty, o Zot, shpresoj: mos lejo të turpërohem për amshim, më liro me drejtësinë tënde. 3 Prire drejt meje veshin tënd, nxito të më shpëtosh! Ji për mua qetë shpëtimi, kështjellë mbrojtjeje! 4 Sepse forca ime e strehimi im ti je: pashë Emrin tënd më pri e më sundo. 5 Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, sepse ti je fuqia ime. 6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, më shpërble, o Zot, Hyji besnik. 7 Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rremë, ndërsa unë shpresën e kam në Zotin. 8 Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate se ti shikove me dhimbje mbi mjerimin tim, ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë; 9 nuk më dorëzove në thonjt e armiqve të mi, hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit. 10 Ki mëshirë për mua, o Zot, se ndodhem në ngushtim të madh! Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, shpirtin edhe trupin. 11 Jeta më sharroi në dhembje e vjetët më kaluan në dënesë, fuqia më mbaroi nga mundi e eshtrat m’u thanë. 12 Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr. Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje. 13 Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, u bëra porsi enë e thyer. 14 Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: bëjnë mbledhje kunder meje, pleqërojnë si të ma marrin jetën. 15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, unë them: “Ti je Hyji im, 2 në duart e tua fati im”! Më shpëto prej duarve të armiqve të mi dhe prej atyre që më salvojnë. 17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: më shpëto me mëshirën tënde. 18 O Zot, unë nuk do të turpërohem se ty të thirra në ndihmë, por u turpërofshin keqbërësit dhe u plandosshin në Nëntokë! 19 U thafshin buzët gënjeshtare, që flasin kundër të drejtit ashpër, me krenari dhe plot përbuzje. 20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, të cilën e ruan për ata që të druajnë, e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty në sy të bijve të Adamit. 21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate larg nga ngatërresat e njerëzve, i strehon në Tendën tënde larg nga gjuhët ngatërrestare. 22 Qoftë bekuar Zoti që më pajisi me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë! 23 Ndërsa në vështirësinë time mendoja: “I përjashtuar jam prej syve të tu!”, por ti e dëgjove zërin e lutjes sime kur drejt teje lëshova kushtrimin. 24 Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: ai i ruan besimtarët e vet, por edhe atë që vepron me madhështi Zoti e shpaguan sipas meritave. 25 Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju që shpresoni në Zotin. 16 PSALMI 32 /31/ Kush i pranon fajet, Zoti e liron nga mëkati 1 I Davidit. Maskil. Lum ai që iu fal mëkati, që iu mbulua faji! 2 Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi. 3 Pse heshta, eshtrat m’u kalbën prej dënesës së vazhdueshme, 4 sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës. 5 Atëherë ta dëftova mëkatin tim, fajin tim më nuk e fsheha. Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim”, e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim. 6 Prandaj le të lutet çdo besimtar në kohë të përshtatshme, kur të vërshojnë ujërat e shumta, atë s’do ta zënë. 7 Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, do të më rrethosh me këngë gëzimi. 8 Do të të bëj të ditur, do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, sytë e mi do t’i përqëndroj mbi ty. 9 Mos u bëni si kali e mushku që nuk kanë mend. Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, përndryshe s’do të afroheshin tek ti. 10 Shumë vështirësi e rrethojnë keqbërësin, atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri. 11 Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër. PSALMI 33 /32/ Himn Provanisë 1 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi! 2 Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda! 3 Këndoni atij një këngë të re, përcilleni bukur me cetër brohoritjen! 4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tija me besë. 5 E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit. 6 Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor; 7 si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, oqeanet i qet në ujëmbledhës. 8 Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, të gjithë banorët e rruzullit le të tuten para tij! 9 Sepse ai foli - gjithçka u bë, ai urdhëroi - gjithçka u përftua! 10 Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve. 11 Synimi i Zotit qëndron për amshim, mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni. 12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë. 13 Zoti shikon nga qielli e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve. 14 Prej vendit të vet të shenjtë i shqyrton të gjithë banorët e tokës, 15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat e i kupton të gjitha veprat e tyre. 16 Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, as vigani në saje të fuqisë së madhe. 17 Kot e pret fitoren nga kali, fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë. 18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij: 19 për t’i shpëtuar nga vdekja e për t’i ushqyer në kohën e urisë. 20 Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë. 21 Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë. 22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse ne shpresojmë në ty. PSALMI 34 /33/ Lavdi drejtësisë hyjnore 1 I Davidit, kur u shtir si i dalë mendsh para Abimelekut e, i dëbuar prej tij, u largua. Alef 2 Përherë do ta bekoj Zotin, në gojën time përherë lavdi i tij. Bet 3 Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen. Gimel 4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij. Dalet 5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi edhe më çliroi nga çdo frikë që pata. He 6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni fytyra juaj nuk do të turpërohet. Zain 7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija. Het 8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre që e kanë frikë dhe i shpëton. Tet 9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të! Jod 10 Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, s’u mungon gjë atyre që e druajnë. Kaf 11 Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë. Lamed 12 Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën e Zotit. Mem 13 A e dëshiron jetën, o njeri? A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat? Nun 14 Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare. Sameh 15 Ik prej së keqes e bëj të mirën, kërkoje paqen e ndiqe atë! Ain 16 Sytë e Zotit shohin të drejtët, veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat. Fe 17 Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre. Sade 18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, i liron prej të gjitha vështirësive të tyre. Kof 19 Zoti është afër atyre që pendohen me zëmër, i shpëton shpirtpërgrirët. Res 20 Sado të vështira të ketë i drejti, prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti. Sin 21 Zoti i ruan eshtrat e tyre: asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet. Tau 22 E keqja e vet do ta vrasë keqbërësin, e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin. Fe 23 Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të. PSALMI 35 /34/ Lutja e të drejtit të përndjekur 1 I Davidit. Dënoji, o Zot, ata që më paditin, luftoji ata që më luftojnë! 2 Merri armët e mburojën e çohu të më ndihmosh, 3 Vringëllo heshtën e sakicën kundër atyre që më përndjekin, thuaji shpirtit tim: “Unë jam shëlbimi yt!” 4 U turpërofshin dhe u çnderofshin ata që e kërkojnë jetën time, u zmbrapshin dhe u turpërofshin ata që ma mendojnë të keqen. 5 U bëfshin porsi byku para erës e i dëboftë engjëlli i Zotit! 6 Udha e tyre u bëftë e errët e rrëshqitëse kur në shpinë t’u vihet engjëlli i Zotit! 7 Sepse pa arsye ma ngrehën rrjetën, sepse pa arsye ia hapën gropën shpirtit tim. 8 U ardhtë vdekja e papritur, u zënçin në rrjetën që vetë e ngrehën, rënçin në gropën që vetë e hapën! 9 Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, do ta gëzojë shpëtimin e tij. 10 Të gjithë eshtrat e mi do të thonë: “E kush është, o Zot, si ti që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, prej cubave të mjerin e skamnorin”. 11 U ngritën dëshmitarë të pashpirtë, më pyesin për gjëra që s’i di, 12 të mirat m’i kthejnë me të këqija: vetmim për shpirtin tim. 13 E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë, ngjeshesha me grathore, me agjërim e mundoja shpirtin tim, lutesha për ta me gjithë afshin e zemrës. 14 Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllanë kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën. 15 E taniqë vetë rrëshqita, ata po gëzohen, u bashkuan për të më salvuar papritmas, 16 vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, më përqeshin duke më shpotitur, kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë. 17 O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, prej luanëve të vetmen të mirë timen. 18 Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, do të të lavdëroj mes popullit të shumtë. 19 Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye. 20 Sepse ata nuk flasin për paqe, por trillojnë dredhi kundër paqedashësve të dheut. 21 Hapin gojën e vet kundër meje e thonë: “Hë, hë! Me sytë tanë ia pamë të zezën”! 22 Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, o Zot, mos më rri larg! 23 Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time! 24 Më gjyko sipas drejtësisë sate, o Zot, Hyji im, që të mos gëzohen mbi mua! 25 Të mos thonë në zemrën e tyre: “Lum shpirti ynë”! Që të mos thonë: “E përpimë”! 26 U skuqshin dhe njëherësh u çnderofshin, ata që i gëzohen të keqes sime, turpi dhe marrja i mbuloftë ata që çohen kundër meje! 27 U kënaqshin dhe u gëzofshin, ata që e kanë për zemër drejtësinë time! Thënçin përherë: “Qoftë madhëruar Zoti që e do paqen e shërbëtorit të vet”. 28 Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, ditë për ditë lavdin tënd. PSALM 36 /35/ Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit, shërbëtorit të Zotit. Paudhësia pëshpërit mu në zemër të keqbërësit, frika e Hyjit s’është para syve të tij. 3 Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë. 4 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin. 5 Në shtrojën e vet sajon paudhësinë, ecën vazhdimisht udhës së keqe, djallëzinë nuk e urren. 6 Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, bujaria jote deri në majë të reve! 7 Drejtësia jote si malet, më të lartat, gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton. 8 Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! 2 Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu. 9 Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate. 10 Sepse tek ti është burimi i jetës, në dritën tënde ne shohim dritën. 11 Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër. 12 Mos më shkeltë këmba e madhështorit, mos më drejtoftë dora e mëkatarit. 13 Këtu u thyen keqbërësit, ranë e më s’mund tëngrihen! PSALMI 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i keqbërësit 1 I Davidit Alef Mos u zemëro kundër keqbërësve as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq. 2 Sepse do të thahen me shpejtësi si kashta e do të kalben si bari i njomë. Bet 3 Shpreso në Zotin e bëj mirë: kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe. 4 Vëre gëzimin tënd në Zotin e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate. Gimel 5 Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka. 6 Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, të drejtën tënde porsi mesdita. Dalet 7 Hesht para Zotit e shpreso në të e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, për njeriun që djerron tradhti. He 8 Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, mos u nervozo se vetëm prish punë, 9 sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën. Vau 10 Edhe pak kohë e keqbërësi do të sharrojë, tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh, 11 kurse të butët do ta trashëgojnë tokën e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat. Zain 12 Keqbërësi i vë prita të drejtit, kundër tij kërcëllon dhëmbët, 13 por Zoti e përqesh atë, sepse e sheh se do t’i vijë dita. Het 14 Mëkatarët vringëlluan shpatën dhe ngrehën harkun për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë. 15 Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, harku i tyre copë e grimë do të bëhet. Tet 16 Më mirë pakica e të drejtit sesa pasuria e madhe e keqbërësit, 17 sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti. Jod 18 Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim. 19 Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, s’do t’u mungojë buka në kohë zie. Kaf 20 Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, porsi stolia e fushave do të vyshken, do të zhduken porsi tymi. Lamed 21 I paudhi merr hua e nuk kthen, ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron. 22 Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen. Mem 23 Zoti i forcon hapat e njeriut dhe përcjell me dashuri udhën e tij. 24 Kur rrëzohet nuk thërmohet, sepse Zoti e mban për dore. Nun 25 I ri qeshë edhe u plaka, por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore as fëmijët e tij duke kërkuar bukë. 26 Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar. Sameh 27 Hiqu së keqes e bëj të mirën e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim, 28 sepse Zoti e do të drejtën dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet. Ain Keqbërësit me siguri do të shfarosen, breznia e tyre do të shuhet. 29 Tokën do ta trashëgojnë të drejtët dhe në të do të banojnë për amshim. Fe 30 Goja e të drejtit e shkoqit dijen, gjuha e tij shpall të drejtën. 31 Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: nuk çalojnë hapat e tij. 32 I paudhi e përgjon të drejtin: shikon si ta vrasë. 33 Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tija nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë. Kof 34 Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve. Res 35 E pashë të paudhin tepër të lartësuar, të lartë porsi cedrin e kërthndezët; 36 kalova dhe, ja, nuk ishte, e kërkova e nuk e gjeta. Sin 37 Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: njeriu i paqes pas vetes lë djalin. 38 Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë. Tau 39 Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë. 40 Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, do t’i lirojë prej keqbërësve sepse shpresuan në të. PSALMI 38 /37/ Lutja në ngushtim 1 Psalm. I Davidit. Në kujtim. Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd as mos më ndëshko në zemërimin tënd! 3 sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, mbi mua rëndoi dora jote. 4 S’ka vend të shëndoshë në trupin tim për shkak të zemërimit tënd, s’ka paqe në eshtrat e mi për shkak të mëkateve të mia. 5 Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, më ndrydhin porsi barra e rëndë. 6 U qelbën dhe u kalbën plagët e mia 2 për shkak të marrëzisë sime, 7 u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, i trishtueshëm endem gjithë ditën. 8 Digjen prej etheve ijet e mia, asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë. 9 I lodhur e i këputur krejtësisht gjëmoj prej dënesës së zemrës sime. 10 Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta, 11 zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi edhe drita e syve të mi po fiket. 12 Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia edhe më të afërmit e mi më rrinë larg. 13 Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, më kërcënohen me vdekje ata që ma dëshirojnë të keqen, gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje. 14 E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them, 15 u bëra njëmend si ai që nuk ndien, si ai që në gojë përgjigje s’ka. 16 Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh. 17 Sepse thashë: “Deh, mos lejo të ngihen në mua, kur të më merren këmbët, të mos krenohen kundër meje”. 18 E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, dhembjen time përherë e kam para syve. 19 Ja, unë e pranoj fajin tim, jam i prishur për mëkatin tim. 20 E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas. 21 Të mirën ma kthejnë me të keqe e më shpifen pse mundohem të bëj mirë. 22 Mos më lër vetëm, o Zot, Hyji im, mos u largo prej meje. 23 Nxito të më ndihmosh, o Zot, Shëlbuesi im. PSALMI 39 /38/ Njeriu është një asgjë kundrejt Hyjit 1 Mjeshtrit të korit. Idutun. Psalm. I Davidit. Thashë: “Do t’ia vë mendjen sjelljes sime që të mos mëkatoj me gjuhën time, fre do t’i vë gojës sime sa të jetë para meje keqbërësi.” 3 Heshta, nuk fola, vër me gojë nuk bëra, por më kot dhembja ime u përtërit. 2 4 Flakë u ndez në mua zemra, posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha, 5 fola me gjuhën time: “Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim, cili është numri i ditëve të mia, që ta di sa e shkurtër është jeta ime”! 6 Ja, në gishta mund të numërohen ditët e jetës sime, jeta ime është asgjë para teje, vetëm avull është çdo njeri. 7 Porsi hije kalon jeta e njeriut, e kotë është krejt puna e tij: ai mbledh visare e s’di kush i gëzon. 8 E tani çka mund të pres, o Zot? Shpresa ime është në ty! 9 Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, mos lejo të bëhem loja e të patenzonit! 10 S’bëj zë, gojën nuk e hap sepse je ti ai që vepron. 11 Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, se më doli shpirti nën peshën e dorës sate! 12 Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, porsi tenja e bren dëshirën e tij. Vërtet tytësi është çdo njeri! 13 Dëgjoje, o Zot, lutjen time, vështro klithmat e mia! Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! Para teje unë jam i huaj, endacak porsi etërit e mi. 14 Më lër njëherë të lirë të marr frymë, para se të shkoj e të mos jem më! PSALMI 40 /39/ Falenderim dhe lutje 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin dhe ai u prir drejt meje, 3 e vështroi britmën time. Ai më nxori nga gropa e mjerimit, nga gropa plot baltë, këmbët m’i qiti mbi shkëmb dhe m’i bëri të fortë hapat. 4 Në gojë më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë. Shumë do të shohin e do të druajnë dhe do të shpresojnë në Zotin. 5 I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin 2 që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten gënjeshtrës. 6 Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty! Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj. 7 Fli e dhurata ti nuk do, vetë ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, 8 atëherë thashë: “Ja, po vij unë. Në Librin e Ligjit shkruan për mua: 9 Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime”. 10 Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di. 11 Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd, kurrë s’e mohova mirësinë tënde e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut. 12 E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht, 13 sepse më rrethuan të këqija të panumërta, më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh: më shumë janë se fijet e flokëve të kokës, kështu që edhe zemra po më lëshon. 14 Denjo, o Zot, të më shpëtosh, o Zot, nxito të më ndihmosh! 15 Le të turpërohen e le t’i mbulojë turpi ata që synojnë të ma marrin jetën! Le të zmbrapsen dhe le të mbesin të turpëruar ata që ma dëshirojnë të keqen! 16 Le të mbesin të hutuar në turpin e vet ata që, të kënaqur për të keqen time, më përqeshin! 17 Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, të gjithë ata që të kërkojnë ty e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”, të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd. 18 Njëmend jam skamnor e i vobektë porse Zoti kujdeset për mua. Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: Hyji im, deh, mos vono. PSALMI 41 /40/ Lutja e të sëmurit të lënë pas dore 1 2 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. I lumi ai që e kujton nevojtarin: në ditë të vështirë Zoti do ta shpëtojë. 3 Zoti do ta ruajë, do ta kërthndezë në jetë, të lum do ta bëjë mbi tokë dhe s’do ta lëshojë në duar të armiqve të vet. 4 Zoti do t’i çojë ndihmë mbi shtratin e dhembjeve të tija: do ta përtërish në sëmundjen e tij. 5 Unë thashë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, ma shëro shpirtin, sepse mëkatova kundër teje.” 6 Armiqtë e mi flasin keq për mua: “Kur do të vdesë e do t’i harrohet emri”? 7 Po edhe nëse vjen kush të më shohë, flet kotësi, në zemër mbledh paudhësi, del përjashta e më vë në lojë. 8 Të gjithë armiqtë e mi pëshpëritin kundër meje së bashku e ma mendojnë të keqen: 9 “Lëngatë e madhe e ka kapur! Kë kap kjo sëmundje ai më nuk çohet”! 10 Po edhe miku im, në të cilin pata shpresë, që hëngri bukën time, u çua kundër meje. 11 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua, më shëro dhe unë do t’ua kthej huanë! 12 Me këtë do ta marr vesh se më do nëse nuk lejon të ngihet armiku im në mua, 13 e ma jep dorën për shkak të pafajësisë sime dhe më lejon të rri në praninë tënde për amshim. 14 Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, prej amshimit në amshim. Amen. Amen. LIBRI II / PSALMET 42-72/ PSALMI 42 /41/ Vajtimi i levitit të mërguar 1 Mjeshtrit të korit. Poemë. E bijve të Koreut. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj! 3 Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?! 4 Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, ndërsa më thonë për çdo ditë: “Ku është Hyji yt?” 5 Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend 2 si shtegtoja në krye të turmës, - si prijës - drejt banesës së Hyjit me brohori e këngë lavdi në procesion kremtues! 6 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim. 7 Shpirti im është në pikëllim, prandaj ty të kujtoj nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar. 8 Humnera thërret humnerën me ushtimën e ujërave të tua, të gjitha vorbullat e valët e tua kaluan përmbi mua. 9 Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, natën kënga e tij me mua: lutje Hyjit të jetës sime. 10 Do t’i them Hyjit: “Mbrojtja ime, pse më harron? Përse endem i trishtuar, prej armiqsh i rrethuar”? 11 Edhe eshtrat më thërmohen prej trishtimit për shkak të armiqve të mi që më thonë përditë: “Ku është Hyji yt”? 12 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim. PSALMI 43 /42/ 1 Ma jep të drejtën, o Hyj, mbroje çështjen time prej njerëzve të pafe, më shpëto prej njeriut të keq e dinak. 2 Sepse ti je Hyji i strehimit tim, përse më dëbon, përse të endem i trishtuar, i shkelur prej armiqve? 3 Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: ato le të më prijnë, le të më përcjellin në malin tënd të shenjtë, në Tendën tënde. 4 Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit, tek Hyji i gëzimit të galdimit tim. Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, ty, o Hyj, Hyji im! 5 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim. PSALMI 44 /43/ Vajtim kombëtar 1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Poemë. O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, etërit tanë na e treguan, veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, në ditë të kahershme. 3 Me dorën tënde i çrrënjose paganët e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, i shfarose popujt e stërgjyshërit i zgjerove. 4 Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, as krahu i tyre nuk ua solli fitoren, por e djathta jote dhe krahu yt e drita e fytyrës sate, sepse i kishe për zemër. 5 Ti je mbreti im dhe Hyji im që ia dhurove fitoren Jakobit! 6 Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm ata që u çuan kundër nesh. 7 Shpresa ime nuk është në harkun tim, as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren, 8 por ti na shpëton nga armiqtë, ti i turpëron ata që na urrejnë. 9 Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë. 10 Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona. 11 Na bëre të ikim para armiqve tanë, ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë. 12 Na dhe mish për kërraba si të ishim dele dhe na trete ndër paganë. 13 E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, as s’u bëre më i pasur me këtë tregti. 14 Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë. 15 Na bëre përrallë për popuj: përmbi ne paganët e tundin kokën! 16 Përditë turpin tim e kam para sysh, turpi ma mbulon fytyrën 2 17 prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, prej pranisë së armikut e të hakmarrësit. 18 Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde, 19 as zemra jonë nuk u largua prej Teje, as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate, 20 e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, na mbulove me hije të vdekjes. 21 Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj, 22 pse Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, nuk do ta kishte hetuar këtë? 23 E pra, për shkak tënd na vrasin çdo ditë, të çmuar porsi delet për therore. 24 Zgjohu, përse po fle, o Zot? Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim! 25 Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë? 26 Se u poshtëruam e ramë përdhe, zvarrë hiqet trupi ynë për tokë. 27 Çohu, na eja në ndihmë! Na shpëto pashë dashurinë tënde! PSALMI 45 /44/ Këngë dasme mbretërore Mjeshtrit të korit. Me melodi “Lili...” E bijve të Koreut. Poemë. Këngë dashurie. 2 Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, këngën time ia kushtoj mbretit: gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë! 3 Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, u zbraz hiri në buzët e tua, prandaj Hyji të bekoi për amshim. 4 Ngjeshe shpatën në ije, o trimi i trimave, vishu me shkëlqim e me madhëri! 5 Nisu, t’u priftë e mbara, hip në karrocë për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote! 6 Të mprehta janë shigjetat e tua - popujt do të bien nën sundimin tënd në zemra të armiqve të mbretit! 7 Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate! 8 Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, me vaj gëzimi gjithkëndin ndër shokët e tu. 1 9 U vjen era mirë, aloejë e kasje petkave të tua, në pallate - asht elefanti, harpat të argëtojnë. 10 Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, në të djathtë të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë. 11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babait tënd, 12 atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. Ai është zotëria yt, nderoje atë! 13 Populli i Tirit vjen me dhurata, përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit. 14 E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, e mbështjellë me petk të qëndisur me ar. 15 Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza. 16 Me hare u prijnë e me brohori, ja, po hyjnë në pallatet e mbretit! 17 Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, do t’i vësh princa mbi mbarë dheun. 18 Do të bëj të përmendet emri yt prej breznie në brezni; prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë në amshim e në shekuj të shekujve. PSALMI 46 /45/ Zoti është me ne Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Me melodi: “Virgjërat...” Këngë. Hyji është për ne strehim dhe fuqi, ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi. 3 Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti! 4 Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tija, le të dridhen malet në furinë e tij! 5 Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, tendat e shenjta të të Lartit Zot. 6 Hyji është brenda nuk do të tronditet askurrë, Hyji i ndihmon heret në agim. 7 Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, bubulloi Zoti, toka u shkri! 8 Zoti i Ushtrive është me ne, strehimi ynë, Hyji i Jakobit! 9 Ejani e shikoni veprat e Zotit - mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe! 10 Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, mburojat në zjarr do t’i djegë. 1 2 11 Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë! 12 Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, strehimi ynë, Hyji i Jakobit. PSALMI 47 /46/ Hyji mbreti i Izraelit e i mbarë botës 1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Psalm. Duartrokitni, o popuj të gjithë, brohoritni Hyjit me zë gëzimi! 3 Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, Mbreti i madh mbi tokën mbarë. 4 Popujt i vuri nën sundimin tonë, paganët nën këmbët tona. 5 Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, nderin e Jakobit, të dashurit të vet. 6 Ngjitet Hyji me brohori, Zoti me zë trumbete. 7 Këndoni Hyjit, këndoni, këndoni mbretit tonë, këndoni! 8 Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: këndoni këngë me mjeshtëri! 9 Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë. 10 Princat e popujve paganë bashkohen me popullin e Hyjit të Abrahamit, sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, Ai është i lartësuar mbi të gjithë. 2 PSALMI 48 /47/ Sioni, mali i shenjtë i Hyjit 1 Këngë. Psalm. I bijve të Koreut. I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, në qytetin e Hyjit tonë! 3 Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur, gëzimi i mbarë botës: Mali Sion, në veriun e skajshëm, Qyteti i Mbretit të madh, 4 Hyji në pirgjet e tija u tregua kështjellë e pathyeshme. 5 Dhe ja, u bashkuan mbretërit, sulmuan së bashku, 6 posa panë, u rrudhën, e, të hutuar, ikën praptazi. 2 7 Aty i kapën të dridhurat si dhimbjet e lindëses, 8 ishin si stuhia e lindjes që i thyen anijet e Tarsisit. 9 Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim, në qytetin e Zotit të Ushtrive, në qytetin e Hyjit tonë - Hyji e themeloi për amshim. 10 Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde në mesin e Tempullit tënd. 11 Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote arrin deri në skajin e botës, e djathta jote është plot drejtësi. 12 Le të galdojë mali i Sionit, le të brohorisin qytetet e Judës për shkak të gjyqeve të tua! 13 Silluni rreth e rreth Sionit, përshkojeni kryq e tërthor, numërojani kullat e tija, 14 vëreni mirë muret e tija, vëzhgoni hollë pallatet e tija që të mund t’i tregoni breznisë së ardhshme: 15 Ky është Hyji, Hyji ynë për amshim e në shekuj të shekujve; Ai na prin në amshim. PSALMI 49 /48/ Pasuria s’është asgjë 1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Psalm. Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, degjoni të gjithë banorët e tokës: 3 vegjëli e bujarë, të pasur e të vobektë së bashku: 4 goja ime do t’ju shpallë dijen, zemra ime mendime urtësie. 5 Fjalëve të urta do t’u vë veshin, me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta. 6 Përse të trembem në ditë të këqija, kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë? 7 Ata shpresojnë në pasuritë e veta mburren me kamjen e madhe të veten. 8 E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin: 9 çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë dhe askurrë nuk mund të paguhet, 10 që njeriu të jetojë gjithmonë 2 e të mos e shohë gropën e varrit. 11 Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: vdes i marri, vdes i patenzoni: të tjerëve ua lënë pasuritë e veta! 12 Varret e tyre - shtëpia e tyre e përhershme: banesë e tyre brezni pas breznie, megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet. 13 Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk ndjeh, krahasohet me kafshët që ngordhin dhe është i ngjashëm me to. 14 I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes. 15 Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, Vdekjen do ta kenë bari. Do të zbresin me rrëmbim në varr, dukja e tyre me shpejt do të mbarojë: Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre. 16 Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja. 17 Mos u tremb kur ndokush pasurohet, kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij: 18 kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, me të s’do të zbresë pasuria e tij. 19 Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: “Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes”, 20 por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit. 21 Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; krahasohet me kafshët që theren, dhe është i ngjashëm me to. PSALMI 50 /49/ Për kultin “në shpirt e në të vërtetë” 1 Psalm. I Asafit. Flet Zoti, Hyji i hyjnive dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon. 2 Nga Sioni, shkëlqim bukurie, Hyji ndriçon! 3 Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: para i shkon zjarri që përpin, përreth tmerrshëm tërbohet stuhia. 4 E thërret qiellin prej së larti edhe tokën për të gjykuar popullin e vet: 5 “Bashkoni para meje besimtarët e mi, që me fli lidhën Besëlidhjen me mua”! 6 Qiejt shpallin drejtësinë e tij sepse Hyji është gjykatës! 7 “Dëgjo, populli im, dua të flas, o Izrael, dëshmoj kundër teje: unë Hyji jam Hyji yt! 8 Nuk të qortoj për flitë e tua, flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh! 9 S’do të pranoj prej shtëpisë satë mëzat, as cjap prej tufave të tua. 10 Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, me mijëra kafshë në malet e mia. 11 I njoh të gjithë shpendët e ajrit dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë! 12 Po të kisha uri, ty nuk do të të thoja: imi është rruzulli e gjithçka ai përmban. 13 Pse, a thua unë ha mish mëzetërish e pi gjak cjepsh? 14 Kushtoji Hyjit fli falenderimi dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua, 15 e më thirr në ditën e travajit: unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë”! 16 Kurse mëkatarit Hyji i thotë: “Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time, 17 kur ti e urren disiplinën, pas shpine i hedh urdhrat e mi? 18 Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, e me lavire vazhdimisht merr pjesë. 19 Gojën tënde e përdor për fitime, gjuha jote thur dredhi. 20 Me paramendim flet kundër vëllait tënd, çnderon djalin e nënës sate. 21 Kështu veprove e unë heshta. A mendon ti se unë jam si ti? Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë”. 22 Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: mos më bëni t’ju fus në thonj se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë. 23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit atij që ecën udhës së drejtë. PSALMI 51 /50/ Rrëfimi i mëkatarit të penduar 1 2 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Kur erdhi tek ai profeti Natan pasi kishte mëkatuar me Betsabenë. 3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim! 4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim e më pastro prej fajit tim! 5 Sepse e pranoj paudhësinë time: mëkatin tim përherë e kam para sysh. 6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj dhe kam bërë ç’është keq para teje, prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, dhe i paanshëm në dënimin tënd. 7 Ja, mëkatar unë linda, madje në mëkate nëna ime më ngjizi, 8 por ti që e do çiltërsinë e zemrës, m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit. 9 Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, më laj e do të bëhem më i bardhë se bora. 10 Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara. 11 Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, e resiti të gjitha fajet e mia. 12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm! 13 Mos më flak larg fytyrës sate, mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë. 14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, dhe më forco me shpirt të gatshëm. 15 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit e fajtorët do të kthehen tek ti. 16 Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde. 17 Zhdërvilloj, o Zot, buzët e mia, dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde. 18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli, e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë. 19 Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar! 20 Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, ndreqi përsëri muret e Jerusalemit. 21 Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd. PSALMI 52 /51/ Ndëshkimi i keqbërësve Mjeshtrit të korit. Poemë. E Davidit. 2 Pasi Doeg Edomiti shkoi te Sauli e i tha:“Davidi hyri në shtëpinë e Abimelekut.” 3 Pse krenohesh me vepra të këqija ti që je i madh për nga paudhësia? 4 Gjithë ditën trillon tradhti! Gjuha jote brisk i mprehtë, o mjeshtër fitimesh! 5 Ti e do të keqen më tepër se të mirën, gënjeshtrën se të flasësh të vërtetën, 6 të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, o gjuhë fitimesh! 7 Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhdukë, do të të zhdukë për përgjithmonë, do të të çrrënjosë prej tendës, do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve. 8 Të tmerruar do të shohin të drejtët e do të qeshin mbi të: 9 “Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, por shpresoi në kamjen e vet të madhe dhe krenohej me tradhtitë e veta.” 10 E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, shpresoj në mirësinë e Hyjit për amshim e në shekuj të shekujve. 11 Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë në sy të besimtarëve të tu. 1 PSALMI 53 /52/ Njeriu i patenzonë Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Sëmundja...” Poemë. E Davidit. Tha i marri në zemrën e vet: “S’ka Hyj!” 2 Njerëzit u prishën, bëjnë vepra të urryeshme: s’ka më njeri që bën mirë! 3 Prej qiellit Hyji vështron mbi bijtë e Adamit, për të parë a ka ndonjë të ndershëm, ndonjë që kërkon Hyjin. 4 Të gjithë e lanë rrugën, të gjithë së bashku u prishën, s’është asnjë që të bëjë mirë, - s’mbeti as edhe një! 5 Po a s’e kuptojnë keqbërësit që e gëlltisin popullin tim si kafshatë buke 1 e Hyjin nuk e thërrasin në ndihmë? 6 U dridhën nga frika ku frikë nuk kishte. Hyji i shpërndau eshtrat e sulmuesve të tu, të turpëruar do të mbesin, sepse Hyji i përbuzi. 7 Kush do t’ia japë prej Sionit shpëtimin Izraelit? Kur Hyji ta riatdhesojë popullin e vet nga robëria, do të gëzojë Jakobi, do të galdojë Izraeli. PSALMI 54 /53/ Lutje Hyjit që jep drejtësi 1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Poemë. E Davidit, pasi Zifenjtë shkuan te Sauli e i thanë: “Ja, Davidi fshihet ndër ne.” 3 Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, me fuqinë tënde mbroje të drejtën time. 4 O Hyj, vështroje lutjen time, vështroji fjalët e gojës sime! 5 Sepse krenarët u çuan kundër meje, mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin: për Hyjin ata s’kanë kujdes. 6 Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë, shpirtin tim ai po e merr ndore. 7 Rëntë e keqja mbi armiqtë e mi: shfarosi, o Zot, pashë të vërtetën tënde. 8 E unë me ëndje do të të kushtoj fli, do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë, 9 sepse ti më shpëtove nga çdo vështirësi, me përbuzje syri im i shikon armiqtë. 2 PSALMI 55 /54/ Lutja e njeriut të shpifur 1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Poemë. E Davidit. Vështroje, o Hyj, lutjen time, mos u fsheh para lutjes sime, 3 më prano e më vështro, se në mjerimin tim u shkriva në vaj, 4 prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit. Hedhin mbi mua paudhësi, më sulmojnë me tërbim. 5 Dridhet zemra ime në mua, më përshkoi tmerri i vdekjes. 6 Frikë e tmerr erdhën mbi mua, më mbuloi një rrënqethje e rëndë. 7 Thashë: “Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit për të fluturuar e për të gjetur pushim? 2 8 Larg, larg do të fluturoja, në shkretëtirë do të banoja. 9 Do ta prisja atë që më shpëton nga furia e erës dhe e stuhisë”. 10 Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, sepse shoh dhunë e grindje në qytet. 11 Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, 12 në qytet paudhësi, vuajtje e prita, nuk mungojnë në sheshe dhunë e tradhti. 13 Sepse po të më shante armiku, disi do të duroja, të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, disi do të fshihesha para tij, 14 por qe ti, o njeri, shoku im, miku im, i njohuri im, 15 me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit! 16 Vdekja i marrtë, gjallë i shtifsha në dhe të zi, sepse të keqen e kanë në shtëpi, në vete! 17 Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, Zoti do të më japë shpëtim. 18 Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë do të dënes i trishtuar e ai do të ma dëgjojë zërin. 19 Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë prej atyre që më sulmojnë: sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi. 20 Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata Ai që është para të gjitha jetëve. Për ata kthim nuk ka e Hyjin s’e druajnë! 21 Secili ngre dorën kundër miqve të vet, shkel e thyen besën e dhënë. 22 Më të butë se gjalpi e kanë gojën, zemrën e kanë të gatshme për luftim, fjalët i kanë më të buta se vaji, e ata - shpatë të nxjerra nga milli! 23 Lëshoja kujdesin tënd Zotit e Ai do të të japë fuqi: kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti. 24 Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqinj plandosi në gropën e varrit që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! Por unë do të shpresoj në ty, o Zot! PSALMI 56 /55/ Besimtari nuk do të bjerë poshtë Mjeshtrit të korit. Mbi: “Jonat elem rehokim”. I Davidit. Poemë. Kur filistenjtë e zunë rob në Gat. 2 Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku, sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën. 3 Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejetlartë! 4 Atë ditë që do të më kapë frika, në Ty do ta vë shpresën! 5 Në Hyjin, të cilit ia lavdëroj fjalën, në Hyjin e kam vënë shpresën, nuk trembem: çka mund të më bëjë njeriu? 6 Çdo ditë m’i shpjegojnë mbrapsht fjalët, s’mendojnë tjetër veçsepër të ma bërë shpellën: 7 ngjallin grindje, më vënë pusi, m’i ruajnë hapat, mendojnë kokën të ma hanë! 8 Shpaguaj sipas fajeve të tyre, në furinë tënde përplasi, o Hyj, përdhe paganët! 9 Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim, lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd! A thua s’janë të shkruar në librin tënd? 10 Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen kur ta kërkoj ndihmën tënde, sepse e di mirë se Hyji është me mua. 11 I jap lavdi fjalës së Hyjit, e madhëroj fjalën e Zotit. 12 Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem: çka mund të më bëjë njeriu? 13 Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia, do të të kushtoj fli falenderimi, 14 sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes, këmbët e mia prej rrëzimit që të mund të eci në praninë e Hyjit, në dritën e të gjallëve. 1 PSALMI 57 /56/ Në mes të luanëve Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro...” E Davidit. Poemë. Kur iku prej Saulit në shpellë. 2 Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im mbështetet në Ty, po strehohem nën hijen e krahëve të tu derisa të më kalojë rreziku i pritës. 1 3 Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, Hyjin që më bën mirë. 4 Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, do t’i turpërojë ata që më shtypin, Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet. 5 Shpirti im banon mes luanëve që i përpijnë bijtë e njerëzve. Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, gjuha e tyre shpatë e mprehtë. 6 Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, përmbi mbarë tokën lavdia jote! 7 Këmbëve të mia u vunë leqe, e ngushtuan shpirtin tim, para meje e hapën gropën: ata vetë ranë brenda! 8 Zemra ime është gati, o Hyj, gati është zemra ime: 9 do të këndoj, këngës do t’ia them! Zgjohu, lavdia ime, Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin! 10 Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, ty do të të këndoj ndër kombe. 11 Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, e deri në re e vërteta jote! 12 Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, përmbi mbarë tokën lavdia jote! PSALMI 58 /57/ Gjykatësi i gjykatësve tokësorë Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro...” E Davidit. Poemë. Vallë njëmend flisni të drejtën, o pushtetmëdhenj, me drejtësi i gjykoni bijtë e njerëzve? 3 Përkundrazi! Me mendje përbluani gënjeshtrën, duart tuaja mbi tokë përgatisin dhunën! 4 E lanë rrugën që në ngjizje mëkatarët, e gabuan rrugën që prej kraharorit të nënës rrenacakët. 5 Janë të helmuar porsi shlligëzat, porsi kapastreci i shurdhët që i mbyll veshët 6 të mos e dëgjojë zërin e shortarit, zërin e magjistarit që është mjeshtër të magjepsë. 7 Ti, o Hyj, thyeju dhëmbët në gojën e tyre, copëtoju nofullat luanëve, o Zot! 8 Le të derdhen si uji që rrjedh, le të thahen si bari që shkelet! 9 Si kërmill që shkrihet në jargë u bëfshin, 1 2 si dështaku i gruas që s’e sheh diellin! 10 Para se vegshat tuaj ta ndiejnë flakën e krandeve, gjallë i përvëloftë flaka e hidhërimit! 11 Do të kënaqet i drejti kur ta shohë hakmarrjen, këmbët e veta do t’i lajë në gjakun e mëkatarit, 12 Njerëzit do të thonë: “Ka shpërblim për të drejtin, po, është Hyji që gjykon mbi dhe”! PSALMI 59 /58/ Kundër të paudhëve Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro...” E Davidit. Poemë. Kur Sauli dërgoi njerëzit t’ia rrethonin shtëpinë e ta vrisnin Davidin. 2 Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, më mbro prej sulmuesve të mi! 3 Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen, më shpëto prej atyre që derdhin gjak! 4 Ja, ia vunë pritën jetës sime, u sulën kundër meje të fortët! 5 E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot, pa pasur në mua paudhësi, bëhen gati të më sulmojnë! Çohu, eja e shiko, 6 ti, o Zot, Hyji i ushtrive, Hyji i Izraelit, zgjohu e ndëshkoji të gjithë paganët, mos mëshiro asnjë që vepron pabesisht! 7 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë, enden nëpër qytet. 8 Ja, vjellin nga goja padrejtësi, shpatë i kanë buzët, thonë: “Kush na ndien”? 9 E ti, o Zot, i përqesh ata, në lojë i vë të gjitha kombet. 10 Fuqia ime, ty të pres, sepse ti, o Hyj, je kështjella ime. 11 Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë, Hyji do të bëjë nga lart t’i shikoj armiqtë e mi. 12 Mos i vra që populli im të mos harrojë, por shpërndaji me fuqinë tënde, shtroji përdhe, o Zot, Mbrojtësi im! 13 Mëkat është çdo fjalë që del nga goja e tyre: le të sharrojnë në krenarinë e tyre! Për shkak të shpifjeve e gënjeshtrave që flasin 14 shfarosi në hidhërimin tënd, shfarosi e të mos jenë, le ta dinë se Hyji është zotërues në Jakobin e mbarë skajet e tokës! 1 15 Kthehen në mbrëmje, lehin si qentë, enden nëpër qytet. 16 Le të enden rrotull për të gjetur ushqim; e, nëse nuk do të ngopen, le të ulërijnë! 17 Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde, në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde, sepse ti qe kështjella ime, strehimi im në ditën e rrezikut tim. 18 Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj, sepse, ti o Hyj, je kështjella ime: Hyji im, mëshira ime! PSALMI 60 /59/ Lutje kombëtare pas humbjes së luftës Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “lili i urdhrit” Poemë e Davidit. Kur luftoi kundër Aram Naharaimit e Aram Sobës e kur Joabi, në kthim, i mundi 12. 000 edomas në Luginën e Kripës. 3 O Hyj, ti na flake tej, na theve: ishe zemëruar! Kthehu prapë tek ne! 4 E tunde dheun, copë e ndave, shëroja plasaritjet se po fundoset! 5 Bëre që populli yt të shohë të vështirësi të mëdha, na dhe të pimë verë që të merr mendtë! 6 Por ti u dhe shenjë të dashurve të tu të tërhiqen nga goditja e harkut, 7 por që të shpëtojnë të dashurit e tu ndihmo me të djathtën tënde e na dëgjo! 8 Hyji foli në Shenjtëroren e vet: “Do të gëzohem, do ta ndaj Sikemin, do ta mas Luginën Sukot! 9 Imi është Galaadi, imi Manaseu, Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im, 10 Moabi legeni ku unë lahem, në Edom do ta hedh këpucën time, mbi filistenj do të brohoris fitoren”! 11 Kush do të më çojë deri në fortesë! Kush do të më prijë deri në Idume? 12 Vallë, mos jo ti, o Hyj, që na flake tej, vallë a s’do të dalësh, o Hyj, me forcat tona? Deh, na ndihmo në ditë të ngushtimit, sepse s’ka shpëtim prej ndihmës së njeriut! 13 Bashkë me Hyjin mrekulli do të bëjmë, ai do t’i shqelmojë armiqtë tanë! 1 2 PSALMI 61 /60/ Lutja e një të humburi 1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. I Davidit. Vështroje, o Hyj, përlutjen time, dëgjoje lutjen time! 3 Nga skaji i dheut të thërras në ndihmë, se më ka lëshuar zemra: më nxirr në qetë që s’mund t’i afrohem. 4 Sepse ti je shpresa ime, kala e fortë përballë armikut. 5 Përjetë do të banoj në tendën tënde, do të gjej mbrojtje nën sqetullën tënde, 6 sepse ti, o Hyji im, i pranon kushtet e mia, u jep trashëgim atyre që e druajnë emrin tënd. 7 Ditë mbi ditë shtoji jetës së mbretit, vjetët e tij zgjati nga breznia në brezni! 8 Le të mbretërojë gjithmonë ndër sytë e Hyjit: rojë iu bëfshin hiri dhe e vërteta! 9 Kështu do t’i këndoj këngë Emrit tënd pa pushim, do t’i plotësoj kushtet e mia si një ditë për ditë! 2 PSALMI 62 /6l/ Hyji e vetmja shpresë 1 Mjeshtrit të korit. Mbi Idutun. Psalmi. I Davidit. Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, sepse prej tij vjen shpëtimi im. 3 Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem! 4 Deri kur do të suleni kundër një njeriu, do ta rrëzoni të gjithë së bashku si murin e prishur, si gardhin e thyer? 5 Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, kënaqësinë e gjejnë në gënjeshtër. Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë. 6 Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, vetëm në të qëndron shpresa ime! 7 Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem! 8 Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin. 9 Shpreso në të gjithmonë, o popull, atij hapi zemrën, sepse Hyji është strehimi ynë. 10 Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, 2 gënjeshtër e thjeshtë bijtë e njeriut: në qoftë se hipin në peshore, të gjithë dalin më të lehtë se tymi! 11 Ruaj se shpresoni në dhunë, ruaj se ju gënjen preja; në pasuri kur ato shtohen mos e ngjitni zemrën për to! 12 Perëndia një herë foli, unë këto dy herë dëgjova: “Pushteti i përket Hyjit, jotja, o Zot, është mëshira! 13 Ti shpërblen gjithkënd sipas veprave që të ketë bërë”! PSALMI 63 /62/ Dëshira ndaj Hyjit 1 Psalm. I Davidit, kur qëndronte në shkretëtirën e Judës. O Hyj, Hyji im je ti, që në agim të kërkoj. Ka etje për ty shpirti im, ty të dëshiron trupi im, si toka e shkretë, e thatë, e paujë, 3 kështu erdha në Shenjtëroren tënde për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde. 4 Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: buzët e mia do të të lavdërojnë. 5 Kështu do të të bekoj në jetën time e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia, 6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime. 7 Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, në përgim natën do të mendoj për ty, 8 sepse ti je bërë ndihma ime, prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu! 9 Shpirti im u mbështet në ty, e djathta jote më merr për dore. 10 E ata që kërkojnë të ma marrin shpirtin, do të zbresin në thellësitë e dheut, 11 do të bien nën pushtetin e shpatës, do të bëhen pre e çakejve. 12 Mbreti do të gëzojë në Hyjin, do të galdojnë të gjithë ata që përbehen në të, kurse rrenacakëve do t’u mbyllet goja. 2 PSALMI 64 /63/ Ndëshkimi i shpifësve 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut, 3 më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, prej grumbullit të atyre që veprojnë keq. 4 Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, 5 për ta shigjetuar në fshehtësi të pafajshmin; e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. 6 Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija, shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta e thonë: “Kush mund t’i shohë”? 7 Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, humnerë është njeriu, greminë zemra e tij! 8 Por Hyji i shigjetoi ata, papritmas i mbuluan plagët. 9 Gjuha e vet ata i sharroi, kush i sheh, i habitur, luan kokën. 10 Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai. 11 I drejti do të gëzohet në Zotin, në Të do ta ketë shpresën, me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër. 2 PSALMI 65 /64/ Himn falenderimi 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Këngë. Ty, o Hyj, të përket himni në Sion, për nderin tënd u plotësoftë kushti në Jerusalem! 3 Tek ti që i dëgjon lutjet do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkate. 4 Fajet tona janë më të forta se ne, por ti i zhduk mëkatet tona. 5 Lum ai që ti zgjodhe dhe e more pranë vetes: ai banon në Shtëpinë tënde. Do të ngihemi me të mirat e Shtëpisë sate, me shenjtërinë e Tempullit tënd. 6 Ti na ndihmon me mrekullitë e drejtësisë sate, o Hyj i shpëtimit tonë, shpresa e mbarë skajeve të tokës e të detit të largët. 7 Ti i forcon malet me fuqinë tënde, 2 i ngjeshur me pushtet, 8 ti qetëson tërbimin e deteve, gjëmën e valëve të tija dhe rrëmujën e popujve. 9 Edhe ata që jetojnë në skajet e botës mbesin të habitur nga mrekullitë e tua, me gëzim i mbush dyert e mëngjesit e të mbrëmjes! 10 Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit, e ngarkon me prodhime të begatshme. Lumi i Hyjit është plot me ujë: ti bën të rriten drithëra për njerëz! Tokën ti kështu e përgatit: 11 hullitë ia lag, bucat ia imtëson, me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon. 12 E kurorëzon vitin me mirësinë tënde, gjurmëve të tua rrjedh begatia, 13 kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi, mballesat bregoreve ngjeshen me hare, 14 livadhet janë të veshura me dele, luginat mbulohen me drithëra: gjithkah këngë e brohoritje me hare! PSALMI 66 /65/ Falenderim publik 1 Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm. Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, 2 këndoni lavdisë së Emrit të tij, lartësojeni lavdinë e tij të pamasë! 3 Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! Pse je tejet i fuqishëm, armiqtë e tu të përkëdhelin. 4 Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”! 5 Ejani e shikoni veprat e Hyjit: bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve! 6 Ai e shndërroi detin në terik, këmbë e kaluan lumin për këtë galdojmë me gëzim. 7 Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, sytë e tij vërejnë përmbi popuj që të mos çojnë kokë njërzit kryengritës. 8 Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë dhe shpalleni lavdinë e tij! 9 Ai i dha shpirtit tonë jetën, këmbët na i ruan nga hapat e gabuar. 10 Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, porsi argjendin nëpër zjarr na kalove. 11 Ti vetë na nxorre në leqe, barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë. 12 Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, na përshkove nëpër zjarr e ujë, por më vonë na dhe pushim. 13 Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, para teje do t’i çoj në vend kushtet, 14 që i premtova me buzët e mia, që i thashë me gojë kur isha në rrezik. 15 Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, do të të kushtoj qe edhe cjep! 16 Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim. 17 Me gojën time e thirra në ndihmë, dhe me gjuhën time e madhërova. 18 Po të mendoja të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të ma dëgjonte lutjen. 19 Prandaj Hyji ma dëgjoi lutjen, i vuri vesh zërit të lutjes sime. 20 Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time e nuk ma mohoi mëshirën e vet! PSALMI 67 /66/ Lutje e përbashkët pas korrjes vjetore 1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Psalm. Këngë. Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne, 3 që në tokë të njihet udha e tij, në të gjitha kombet shpëtimi i tij. 4 Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin! 5 Le të galdojnë e le brohorisin popujt, sepse popujt i gjykon me drejtësi, sepse kombet mbi tokë ti i sundon. 6 Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin! 7 Toka e dha frytin e vet: na bekoftë Hyji, Hyji ynë! 8 Na bekoftë Hyji! Frikë e paçin mbarë skajet e botës! 2 PSALMI 68 /67/ Epopeja e lavdishme e Izraelit 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. Këngë. U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë! 3 Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, si shkrihet dylli përballë zjarrit, ashtu të zhduken keqbërësit përpara Hyjit! 4 Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, le të galdojnë e le të brohorisin me hare. 5 Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, bëni udhë Atij që kalëron mbi re: “Zot” është Emri i tij, vallëzoni në praninë e tij! 6 Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave është Hyji në banesën e vet të shenjtë. 7 Hyji u siguron banesën të pashtëpive, u hap të burgosurve derën e lirisë, kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë. 8 O Hyj, kur dilje para popullit tënd, kur ti kaloje nëpër shkretëtirë: 9 trandej toka, qielli rigonte para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit. 10 Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur. 11 Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin. 12 Zoti shpall një lajm e vajzat lajmëtare janë një ushtri e tërë: 13 “Mbretërit e ushtrive ikin e ikin e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan! 14 Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, e pendët e saja porsi ari i verdhë. 15 Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, Selmoni zbardhonte me dëborë”! 16 Mali i Hyjit, mali Basan, mal i thepisur mali Basan! 17 Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? Zoti në të do të banojë gjithherë! 18 Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore! 19 U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, dhuratë njerëzit i more, që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj. 2 20 Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë. 21 Hyji ynë është Hyj që shëlbon, e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes! 22 Patjetër Hyji armiqve të vet kokën do t’ua thyejë, butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija. 23 Tha Zoti: “Nga Basani do t’i kthej, do t’i kthej nga thellësia e detit, 24 që ta lash këmbën tënde në gjak, që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq! 25 U panë, o Hyj, procesionet e tua, procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore: 26 Përpara këngëtarët, muzikëtarët pas, në mes vashat duke u rënë defave! 27 “Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit”! 28 Aty djaloshi Beniamin u prin, princat e Judës me togat e veta, princat e Zabulonit, princat e Neftaliut! 29 Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne, 30 prej Tempullit tënd në Jerusalem. Mbretërit le të sjellin dhurata! 31 Kërcënoju egërsirës së kallamit, lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi; shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! 32 Do të vijnë bujarët nga Egjipti, Etiopia do t’i drejtojë duart drejt Hyjit! 33 Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, këndoni Zotit, këndoni Hyjit, 34 që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm: 35 “Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit”! Mbi Izraelin madhëria e tij, përmbi re fuqia e tij! 36 I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. Qoftë bekuar Hyji! PSALMI 69 /68/ Vajtim Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Lilat.” I Davidit. Më shpëto, o Hyj, sepse uji më arriti deri në fyt! 3 Jam ngulur thellë në baltë, 1 2 s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë: kam rënë në pellgun e ujërave e valët po më mbulojnë. 4 U këputa duke lëshuar kushtrim, m’u tha krejtësisht gurmazi, m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim. 5 Më shumë se flokët e kokës sime janë ata që më urrejnë pa të drejtë. U forcuan ata që më salvuan, armiqtë e mi gënjeshtarë: çka nuk vodha më duhej të ktheja? 6 O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, fajet e mia nuk janë të fshehura para teje. 7 Mos lejo të skuqen në mua ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive, mos lejo të turpërohen në mua ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit! 8 Sepse për shkakun tënd e mbarta poshtërimin, turpi ma mbuloi fytyrën, 9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi, i panjohur për bijtë e nënës sime. 10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua. 11 E ndëshkova veten me agjërim, por kjo m’u kthye në çnderim; 12 për petk vesha grathoren, përrallë e lodër u bëra për ta. 13 Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, pijanecët po më vënë në bisht të lahutës. 14 E pra, unë ty të lutem, o Zot, në kohën e përshtatshme, o Hyj, më vështro pashë dashurinë tënde, pashë të vërtetën e shpëtimit tënd! 15 Më nxirr nga lymi të mos humbas, më shpëto prej atyre që më urrejnë, prej ujërave të thella! 16 Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, mos lejo të më përpijë thellësia, të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua! 17 Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe, 18 mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë! 19 Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë për shkak të armiqve të mi, më shpërble. 20 Ti e sheh çnderimin tim, turpin tim e “nderimin” tim: para teje janë të gjithë ata që më salvojnë. 21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta. 22 Në ushqim më hodhën vrer e në etje më dhanë të pi uthull. 23 Tryeza e tyre për ta lak u bëftë, shpagim e kurth. 24 U errësofshim sytë e tyre e mos pafshin, bëj gjithmonë të jenë të këputur në kryq. 25 Zbraze mbi ta hidhërimin tënd, i djegtë flaka e zemërimit tënd! 26 Banesa e tyre u ktheftë në shkretëtirë, në çadër të tyre mos pastë kush të banojë! 27 Pse salvuan atë që ti qortove, pse i shtojnë dhembjen atij që plagose. 28 Fajësisë së tyre u shto faje mbi faje, që të mos mund të shfajësohen para teje, 29 që të hiqen prej librit të të gjallëve, të mos numërohen në radhët e të drejtëve! 30 Mua të mjerin e të pikëlluarin: më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt! 31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, do ta lartësoj me këngë falenderimi. 32 Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, më tepër se demi me brirë e me thundra! 33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen; kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet. 34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, s’i përbuz të vetët që janë të robëruar. 35 Le ta lavdërojnë qielli e toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. 36 Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, aty do të banojnë e do ta trashëgojnë. 37 Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, në të do të ngulë kush e do Emrin e tij! PSALMI 70 /69/ Kushtrim për ndihmë 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Për kujtim. O Hyj, deh, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh! 3 U marrofshin dhe u turpërfoshin të gjithë ata që kërkojnë të ma marrin jetën. U zmbrapsshin dhe u turpërofshin ata 2 që ma dëshirojnë të keqen! 4 U zmbrapsshin të turpëruar ata që më thonë: “Mirë, shumë mirë!” 5 Le të galdojnë e le të gëzojnë të gjithë ata që të kërkojnë ty, le të thonë përherë: “I madh është Hyji!”, ata që e duan shëlbimin tënd. 6 E unë jam i vobektë e skamnor: o Hyj, shpejto të më ndihmosh, sepse ti je ndihmëtari e shpëtimtari im, o Zot, deh, mos vono! PSALMI 71 /70/ Lutja e një plaku 1 Në ndore tënde, o Zot, askurrë mos u turpërofsha. 2 Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo! 3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, sepse ti je kështjella ime e strehimi im. 4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit, prej dorës së derhuzdit e të dinakut. 5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime, shpresa ime, o Zot, që prejrinisë sime. 6 Në ty jam mbështetur që prejkraharorit të nënës, që prejprehrit të nënës ti je mbrojtësi im, mburrja ime është gjithmonë në ty. 7 Për shumë njerëz u bëra çështje habie: ti ishe mbrojtësi im i fuqishëm. 8 Goja ime të lavdëron pa pushim, gjithë ditën të madhëron. 9 Mos më lësho dore në pleqëri, kur të më lënë fuqitë, mos hiq dorë prej meje. 10 Sepse thonë armiqtë e mi për mua, e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen: 11 “Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, bini në të se s’ka kush i del zot”. 12 O Hyj, mos më rri larg, Hyji im, shpejto të më ndihmosh. 13 Le të turpërohen e le të shuhen kundërshtarët e shpirtit tim, le të mbulohen me marrëzi e me turp ata që ma dëshirojnë të keqen. 14 E unë gjithmonë do të shpresoj në ty e unë do t’i shumoj gjithnjë lavdet e tua. 15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde, gjithë ditën shpëtimin tënd: që s’di të ketë masë në madhëri. 16 Do ta shpall pushtetin e Zotit, o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde. 17 Ti më ke mësuar, o Hyj, që prejrinisë sime dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua. 18 E tani në pleqëri ngarkuar me vjet, o Hyj, mos hiq dorë prej meje, derisa t’ia shpall pushtetin tënd mbarë breznisë që do të vijë. 19 Pushteti yt e drejtësia jote, o Hyj, arrijnë deri në qiell, sepse bëre punë të mrekullueshme! O Hyj, e kush është i ngjashëm me ty?! 20 Sepse ti më çove prova shumë të mëdha, por përsëri më kërthndeze në jetë e përsëri më ktheve nga thellësia e tokës. 21 Rrite madhërinë time, sillu prej meje e më ngushëllo. 22 Kështu edhe vetë do të të lavdëroj, me harpë do të këndoj, o Hyj, të vërtetën tënde, me cetër do të të këndoj ty, o Shenjti i Izraelit! 23 Do të galdojnë buzët e mia duke të kënduar ty, edhe shpirti im që e ke shëlbuar. 24 Gjuha ime gjithë ditën do të flasë për drejtësinë tënde, le të turpërohen e të marrosen ata që kërkojnë të keqen për mua. PSALMI 72 /71/ Mbreti i premtuar 1 I Salomonit. O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, 2 që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën. 3 Malet le t’i sjellin paqen popullit e kodrat drejtësinë. 4 Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit do ta përulë shpifësin. 5 Ai do të jetojë sa dielli e hëna, nga breznia në brezni. 6 Do të zbresë porsi vesa mbi bar, porsi shiu që e lag tokën. 7 Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna. 8 Do të sundojë prej detit në det, prej Lumit e deri në skajin e botës. 9 Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun. 10 Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve dhurata do të sjellin, mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat, 11 të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien e popujt mbarë do t’i shërbejnë. 12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, të varfërin që nuk ka ndihmëtar. 13 Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën. 14 Do t’i shpëtojë prej padrejtësisë e dhunës, gjaku i tyre do të jetë i çmueshëm përpara tij. 15 Do të jetojë e do t’i jepet prej arit të Arabisë, gjithmonë do të luten për të, gjithë ditën do ta bekojnë. 16 Toka do të japë drithëra me shumicë, në maja të maleve do të valëviten kallëzat, porsi Libani frytet e tokës, do të lulëzojnë porsi bari i tokës banorët e qytetit. 17 Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, sa të jetë dielli mos iu harroftë emri! Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë. 18 Qoftë bekuar Zoti Hyj, Hyji i Izraelit, që i vetmi bën mrekulli! 19 Qoftë bekuar Emri i tij i madhërueshëm, toka mbarë u mbushtë me lavdinë e tij. Amen! Amen! LIBRI III /PSALMET 73-89/ PSALMI 73 /72/ Drejtësia e sprasme 1 Psalmi. I Asafit. Sa i mirë është Hyji për njerëzit e drejtë, Zoti ynë për ata që janë të pastër në zemër. 2 E mua veçse nuk më rrëshqitën këmbët, përpak sa nuk më lëshuan këmbët, 3 sepse ua pata lakmi krenarëve duke parë mirëqenien e keqbërësve. 4 Sepse për ta vuajtje nuk ka, shëndoshë e plot dhjamë është trupi i tyre. 5 Nuk jetojnë në vuajtjert të vdekshmëve, nuk i rreh frushkulli i vështirësive të njerëzve. 6 Prandaj edhe gjerdan për qafë e kanë madhështinë e dhunën për petk që i mbulon. 7 Nga zemra e majme u kullon e keqja, dhelpëritë u shpërthejnë nga zemra. 8 Përqeshin e dijekeqas flasin, me dhunë kërcënohen krenarisht prej së larti. 9 Vënë gojë edhe kundër qiellit, gjuha e tyre e përshkon dheun. 10 Prandaj lart e vendosin veten dhe ujërat e shumta nuk arrijnë tek ata. 11 Kështu edhe thonë: “Si mund ta dijë Hyji? A mund të dijë gjë i Tejetlarti”? 12 Ja, këta janë mëkatarët: gjithmonë të qetë e grumbullojnë pasuri. 13 Atëherë thashë: “Vallë kot e paskësh ruajtur të pastër zemrën time dhe në pafajësi i lava duart e mia, 14 kot e frushkullova veten përditë duke bërë pendesë që heret në mëngjes”! 15 Të kisha thënë: “Do të flas porsi ata”, unë do ta tradhtoja fisin e bijve të tu. 16 U mundova ta kuptoja këtë gjë: porse disi mjerisht sytë m’u morën. 17 Derisa disi hyra në shënjtëroren e Hyjit: atëherë pashë mbarimin e tyre. 18 Vërtet i vë në vend rrëshqitës, i lejon të shkojnë në rrënim. 19 Oh, sa me vrap mbaruan, u zhdukën, mjerimi i përpiu! 20 Po, sikurse ëndrra e atij që zgjohet, o Zot, kur të zgjohesh e bën asgjë fytyrën e tyre. 21 Kur shpirtin e kisha të trazuar, mundohesha në brendinë e zemrës sime, 22 isha i marrë e nuk kuptoja, isha bërë si bagëti para teje. 23 Por unë që tani gjithmonë do të jem me ty, sepse më more për dorën time të djathtë. 24 Ti do të më prish me këshillën tënde për të më marrë pastaj me lumturi. 25 Kë tjetër veç teje kam unë në qiell? Edhe në tokë s’dua tjetërkënd veç teje! 26 Ligështuar më janë trupi dhe zemra: ti je Hyji i zemrës sime, pjesa ime, Hyji i amshueshëm. 27 Po se do të sharrojnë të gjithë ata që largohen prej teje, ti zhduk të gjithë ata që të tradhtojnë. 28 Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit, ta vë shpresën në Zotin, Hyjin tim, që t’i shpall të gjitha veprat e tua në dyert e Qytetit Sion. PSALMI 74 /73/ Vajtim pas plaçkitjes së Tempullit 1 Poemë. E Asafit. Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim, të ndizet flakë zemërimi yt kundër deleve të kullotës satë? 2 Të të bjerë në mend bashkësia jote që e fitove që në fillim, fisi që e bëre pronë për vete dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde. 3 Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme, - gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore! 4 Armiqtë e tu ulërijnë mes kuvendit tënd, i vunë shenjat e veta për shenja! 5 Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë, 6 me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tija. 7 Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde, të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd. 8 Thanë në zemrën e vet: “T’i shfarosim të gjithë së bashku”! I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend! 9 Nuk i shohim me shenjat tona, profet më nuk ka, dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu... 10 Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku, përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd? 11 Përse e rrudh ti dorën tënde, të djathtën tënde pse po e mban në ije? 12 E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi, ai që çliron mbi tokë: 13 Ti me fuqinë tënde detin e ndave, u copëtove kokën përbindëshave të ujit. 14 Ia shtype kokën Leviatanit, ua dhe për ushqim përbindëshave të detit! 15 Ti bëre të rrjedhë burim e përrua, ti thave lumenjtë e pashtershëm. 16 Jotja është dita, jotja është nata, ti i krijove yjet edhe Diellin. 17 Ti i caktove kufijtë e Tokës, ti i përftove verën edhe dimrin. 18 Mos e harro këtë: armiku e vuri në lojë Zotin, një popull i marrë përbuzi Emrin tënd. 19 Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë, mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu! 20 Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde, sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune. 21 Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar: i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd! 22 Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde, mos i harro poshtërimet që i marri t’i bën gjithë ditën. 23 Mos e harro britmën e armiqve të tu: rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti. PSALMI 75 /74/ Gjyqi i plotë dhe i gjithmbarshëm Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro...” Psalm. I Asafit. Këngë. Do të të këndojmë lavde, o Hyj, do të lavdërojmë e do ta thërrasim Emrin tënd, do t’i shpallim mrekullitë e tua. 3 “Kur unë të caktoj kohën do të gjykoj me drejtësi. 4 Në dashtë, le të lëkundet toka me të gjithë banorët e vet, unë jam ai që ia kam forcuar shtyllat. 5 U thashë krenarëve: “Mos u krenoni!” edhe të paudhëve: “Mos çoni krye! 6 Mos e lartësoni ashtu kokën tuaj, mos folni kundër Hyjit poshtërsi!” 7 As prej lindjes, as prej perëndimit, as prej shkretëtirës nuk vjen lartësimi, 8 sepse gjykatës është Hyji: këtë e përul e lartëson atë. 9 Sepse në dorë të Zotit është gota plot verë shkumuese me dra përzier. Prej saj ai jep të pihet: do ta pinë veç deri në fundërri mëkatarët, krejtësisht do ta pinë deri edhe llumin”. 10 E unë do ta shpall përgjithmonë, do t’i këndoj Hyjit të Jakobit. 11 “Kokën do t’ua thyej të gjithë keqbërësve, kurse kokën e të drejtit do të lartësohet”; 1 2 PSALMI 76 /75/ Odë për nder të Hyjit të tmerrshëm 1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Psalm. I Asafit. Këngë. I njohur është Hyji në Jude, i madh është Emri i tij në Izrael. 3 Në Salem është tenda e tij, 2 vendbanimi i tij në Sion. 4 Atje ai i theu shigjetat e harkut, shqytin, shpatën e luftën. 5 Shkëlqen, o i Madhërishëm, mbi malet e presë! 6 Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta 7 nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, shtang mbetën qerre e kalë! 8 Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? Atëherë kur shfrenohet zemërimi yt! 9 Nga qielli e jep vendimin gjykues; Toka u trondit dhe heshti, 10 kur të ngrihet Hyji në gjyq për t’i shpëtuar të përvuajturit e dheut. 11 Të goditurit nga zemërimi yt të lavdërojnë, të shpëtuarit nga zemërimi do të të bëjnë festë. 12 Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit, 13 Atij që ua merr frymën princave, që është tmerr për mbretërit e tokës. PSALMI 77 /76/ Përsiatje mbi të kaluarën e Izraelit 1 Mjeshtrit të korit. Sipas Iditunit. I Asafit. Psalm. Drejt Zotit e ngrita zërin tim, drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon. 3 Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, natën drejt tij i lartësoj duart e mia e nuk lodhem, por shpirti im nuk gjen ngushëllim, 4 më bie në mend Hyji dhe ofshaj, e kujtoj e më pakësohet fryma. 5 Hapur m’i mban qepallat e syve të mi, i tronditur jam e nuk mund të flas. 6 Mendoj ditët e kaluara, më bien në mend vitet e lashta. 7 Mendoj natën në zemrën time, përsiat dhe shpirti im shqyrton: 8 Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë? 9 A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë? 10 Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, i zemëruar thua kufi i vuri mëshirës së vet? 11 Dhe thashë: “Ja, plaga ime: 2 është shndërruar e djathta e Tejetlartit”. 12 Në mend me bien veprat e Zotit, i kujtoj mrekullitë e tua që prej fillimit. 13 Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, meditoj mbi veprat e tua të larta. 14 O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, cili hyj është i madh si Hyji ynë? 15 Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde. 16 Me të dhjathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, bijtë e Jakobit e të Jozefit. 17 Të panë ujërat, o Hyj, të panë ujërat e u zmbrapsën, u trazuan deri edhe humnerat! 18 Riguan retë ujëra, dhanë retë gjëmët e veta shigjetat e tua fluturuan! 19 Bubullima jote jehoi në stuhi, vetëtimat shndritën rruzullin e tokës, u tund toka dhe u trondit! 20 Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, gjurmët e tua askush nuk i njeh. 21 Porsi grigjës i prive popullit tënd, me dorë të Moisiut e të Aronit. PSALMI 78 /77/ Mësimi që jep historia e Izraelit 1 Poemë. E Asafit. Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim, vëru vesh fjalëve të gojës sime. 2 Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra, do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara. 3 Ato që dëgjuam e mësuam, çka na treguan etërit tanë, 4 nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre, do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme lavditë e Zotit e mrekullitë e tija, veprat e bindshme që ai bëri. 5 Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin, dhe e vuri Ligjin në Izrael, që çfarë u urdhëroi etërve tanë ato t’ua shpallin fëmijëve të vet, 6 që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura, që fëmijët që të lindin t’ua tregojnë fëmijëve të vet: 7 që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin, të mos i harrojnë veprat e Hyjit e t’i mbajnë urdhërimet e tija. 8 E të mos bëhen si etërit e tyre - brezni kryengritëse dhe e padëgjueshme, brezni e paqëndrueshme në zemër e me shpirt të pabesë ndaj Hyjit. 9 Bijtë e Efraimit, luftëtarë me hark, ditën e përleshjes kthyen shpinën e ikën. 10 Nuk e mbrojtën Besëlidhjen e Hyjit, e nuk deshën të ecin udhëve të tija. 11 I harruan veprat e tija, mrekullitë e tija që ua dëftoi. 12 Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, në tokën e Egjiptit, në fushën Taneos. 13 E ndau detin dhe ata i kaloi, i ndali ujërat si të ishin në rrëshiq. 14 Ditën u printe me re, e gjithë natën me zjarr ndriçues. 15 Në shkretëtirë qetën e plasi dhe u dha të pinë si nga humnera e pafund: 16 nga shkëmbi nxori përrenj, bëri të rrjedhë uji si lumë. 17 Por ata gjithnjë vazhduan të mëkatojnë kundër tij, i kundërshtuan të Tejetlartit në shkretëtirë, 18 Hyjin e tunduan në zemrat e veta duke kërkuar ushqim për grykësinë e vet. 19 Nynykatën kundër Hyjit e thanë: “A është i zoti Hyji të shtrojë tryezë në shkretëtirë?” 20 “Ja, shkëmbit i ra e rrodhi ujë, gurgulluan përrenjtë! A mund të japë edhe bukë e mish për popullin e vet?” 21 Dëgjoi Zoti dhe u zemërua, zjarr u ndez kundër Jakobit, flakë u ndez hidhërimi kundër Izraelit, 22 sepse nuk besonin në Hyjin, nuk shpresonin në shpëtimin e tij. 23 Kështu u urdhëroi reve prej së larti, i hapi pendët e qiellit, 24 porsi shi e lëshoi manën për ushqim, u dha bukë nga qielli: 25 njeriu hëngri bukë engjëjsh, u dha ushqim me mbushulli. 26 Pastaj në qiell e zgjoi erën e lindjes, me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku, 27 bëri të bjerë mbi ta mish thuajse pluhur, shpend me pupla porsi rëra e detit: 28 ranë mes tëbanishtes së tyre, përreth çadrave të tyre. 29 Hëngrën dhe u ngopën, ua plotësoi dëshirën. 30 Ende plotësisht nuk ishin ngirë, ende ushqimin e kishin në gojë, 31 kur ja, zemërimi i Hyjit u ndez kundër tyre, i kositi me vdekje më të fortët e tyre, i vrau të zgjedhurit e Izraelit. 32 Megjithatë - vazhduan të mëkatojnë dhe nuk besuan në veprat e mrekullueshme të tijat. 33 Ditët e tyre i zhduku si avullin, vitet e tyre kaluan me ngutësi. 34 Kur i vriste, atëherë e kërkonin e përsëri ktheheshin tek Hyji; 35 u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre, Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre. 36 Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre, e rrenin me gjuhën e vet: 37 zemra e tyre nuk ishte me të, besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij. 38 E Ai, i mëshirshëm, e falte fajin, në vend që të shkatërronte, shpeshherë e ndalte zemërimin e vet e nuk ndizej në furinë e vet. 39 I binte në mend se janë njerëz të ligshtë - avull që shkon e nuk kthehet. 40 Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë, sa herë e zemëruan në vise të pabanuara! 41 Prapë e prapë e ngacmonin Hyjin, e trishtonin Shenjtin e Izraelit 42 duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme, ditën kur i shpëtoi nga armiku, 43 as mrekullitë që i bëri në Egjipt, as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos. 44 Kur lumenjtë i shndërroi në gjak dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin. 45 Dërgoi mbi ta gretha që t’i thernin dhe bretkosa që t’i sosnin. 46 Të korrat e tyre ua dha karkalecave, vemjeve mundin e tyre. 47 Me breshër ua rrënoi vreshtat, e me brymë manat e tyre. 48 Me breshër ua shfarosi bagëtinë, me rrufe ua vrau grigjat. 49 Lëshoi mbi ta zjarrin e zemërimit të vet, hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet, dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen. 50 I rrafshoi udhën zemërimit të vet, nuk ua kurseu jetën prej vdekjes, jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës. 51 I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit. 52 Porsi dele prej andej e nxori popullin e vet, i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë. 53 U printe me kujdes pa farë frike, kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu. 54 I çoi në Tokën e vet të shenjtë, në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij. 55 Para tyre i dëboi paganët, tokën e tyre me litar ua ndau për pronë, në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit. 56 E ata prapë e ngacmuan dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë, nuk ia mbajtën urdhërimet e tija. 57 u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre, u kthyen mbrapsht porsi harku i prishur. 58 E hidhëruan me lartësirat e tyre, dhe e ngacmuan me gdhendjen e idhujve. 59 Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim, për së tepërmi iu ndy Izraeli. 60 E lëshoi banesën Silo, tendën ku banonte në mes të njerëzve. 61 Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri, nderin e vet në duar të armiqve. 62 Popullin e vet ia dorëzoi shpatës, kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim. 63 Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin. 64 Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre, e vejushat e tyre nuk i vajtuan! 65 E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti, si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon, 66 e t’u ra pas shpine armiqve, i mposhti një herë e përgjithmonë. 67 E përjashtoi tendën e Jozefit, nuk e zgjodhi fisin e Efraimit. 68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit që e ka për zemër. 69 Të lartë si qiellin e ndërtoi Shënjtëroren, porsi tokën e themeloi për amshim. 70 Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet, e hoqi nga grigjat e deleve, 71 prej pas delesh nëna atë e mori të kullotë Jakobin, popullin e vet, Izraelin, trashëgimin e vet! 72 Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur dhe u priu me dorën e vet të vyer. PSALMI 79 /78/ Vajtim kombëtar 1 Psalm. I Asafit. O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash! 2 Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu për ushqim shpendëve të qiellit, mishin e shenjtërve të tu bishave të malit. 3 Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste! 4 U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth. 5 Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? Do të digjet si zjarri zemërimi yt? 6 Shfreje hidhërimin tënd mbi paganët që nuk të njohin, mbi mbretëri, që nuk të thërrasin në ndihmë 7 se e përlanë Jakobin dhe e shkatërruan selinë e tij! 8 Mos i kujto fajet e etërve tanë, le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, sepse jemi bërë tepër të mjerë. 9 Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, për nder të Emrit tënd e na çliro: pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet! 10 Pse të thonë paganët: “Ku është Hyji i tyre”? Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të t’u. 11 Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, me fuqinë e krahut tënd shpëtoji të dënuarit me vdekje. 12 Mbi zemrën e fqinjëve tanë ktheje shtatëfish dhunën që ta bënë ty, o Zot. 13 E ne, populli yt - delet e kullotës sate, do të të lavdërojmë për amshim, do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde. PSALMI 80 /79/ Lutje për ripërtëritje të Izraelit Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Lili i urdhrit”. I Asafit. Psalm. Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, ti që i prin Jozefit si grigjës, ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe 1 2 3 para Efraimit, Beniaminit e Manseut: zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë për të na shpëtuar! 4 O Hyj, deh, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo! 5 O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh në lutjen e popullit tënd? 6 Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë? 7 Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë e armiqtë tanë po qeshen me ne. 8 O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo! 9 Vreshtin nga Egjipti e nxore e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove. 10 Tokën ia përgatite, lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën. 11 U mbuluan malet me hijen e tij, me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit, 12 pinjollët e tij arritën deri në det, shermendet i hodhi deri në Lumë. 13 Gardhin pse ia theve që ta vjelë çdo kalimtar? 14 E dëmtoi derri i egër, e kulloti çdo egërsirë. 15 Kthehu, Hyji i ushtrive, shikoje nga qielli e shihe, eja, shihe këtë vreshtë 16 dili zot se ti vetë e mbolle: djalit që për vete e rrite. 17 Ata që e dogjën dhe e prenë le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate. 18 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate, mbi birin e njeriut që për vete e rrite. 19 Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd. 20 O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, kthjelle fytyrën tënde e na shpëto! PSALMI 81 /80/ Për të kremten e Tendave Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shtrydhësit...” I Asafit. Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë, brohoritni Hyjit të Jakobit! 3 Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani, harpa e këndshme e cetra të jehojnë! 1 2 4 Le të ushtojë boria e hënës së re, në hënën e plotë, ditën e të kremtës sonë! 5 Sepse kjo është ligj për Izraelin, urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit, 6 urdhër që iu dha Jozefit, kur doli prej tokës së Egjiptit. Dëgjova një zë që s’e njihja: 7 “Nga barra krahët ia çlirova, nga duart ia hoqa shportën. 8 Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova, të jam përgjigjur i fshehur në stuhi, të vura në provë tek uji i Meribës. 9 Dëgjo, populli im, dua të të qortoj: oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael! 10 Pranë teje tjetër zot të mos kesh, zot të huaj mos adhuro! 11 Sepse unë Zoti jam Hyji yt, unë që të nxora nga dheu i Egjiptit, hape gojën tënde se dua ta mbush! 12 Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, Izraeli nuk qe në kujdes për mua. 13 Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, le të jetojnë si u pëlqen atyre. 14 Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia, 15 po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij. 16 Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim. 17 Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi”. PSALMI 82 /81/ Kundër princave paganë 1 Psalm. I Asafit. Hyji u ngrit në kuvendin hyjnor, po gjykon mes hyjnorëve. 2 “Deri kur do të gjykoni padrejtësisht e krah do t’u mbani të paudhëve? 3 Dilni zot të dobtit e të mjerit, jepjani të drejtën të përvuajturit e skamnorit! 4 Lironi të ndrydhurin e të vobektin, shpëtojeni prej thonjve të të paudhit”! 5 Por ata s’kuptojnë, vesh nuk marrin, ecin nëpër errësirë; po lëkunden të gjitha themelet e tokës! E pra, unë thashë: “Ju jeni zota, bij të Tejetlartit të gjithë”! 7 Por të gjithë do të vdisni si njerëzit, poshtë do të bini si një, ju, o princa! 8 Ngrihu, o Hyj, gjykoje tokën, sepse me të drejtë je Pronari i të gjitha kombeve! 6 PSALMI 83 /82/ Kundër armiqve të Izraelit 1 Këngë. Psalm. I Asafit. O Hyj, mos rri në qetësi, mos hesht, as mos u përmbaj, o Perëndi! 3 Sepse, ja, armiqtë e tu po zhurmiten, dhe ata që të urrejnë, po çojnë kokë! 4 Trillojnë plane të këqija kundër popullit tënd, këshillohen kundër të mbrojturve prej teje. 5 Thonë: “Ejani t’ua tresim farën, të mos jenë më popull, të mos përmendet më emri i Izraelit”! 6 Vërtet janë bërë një mendje e vetme, kundër teje kanë bërë besëlidhje: 7 tendat e idumeasve e ismaelitët, moabitët e agarenët, 8 Gebali, Amoni e Amaleku, Filisteja me banorët e Tirit, 9 Po ashtu edhe Asuri u bashkua me ta, u bënë ndihmëtarë të bijve të Lotit. 10 Bëjua dhe atyre si Madianit e Sisarës, porsi Jabinit në përroin e Cisonit, 11 që u rrahuan vdekur në Endor, me kufoma e plehëruan tokën. 12 Bëjua princave të tyre si Orebit e Zebit, si Zebeesë e Salmanasë, krerëve të tyre 13 që thanë: “T’i pushtojmë kullotat e Hyjit”! 14 Hyji im, flaki ata në shakullinë, porsi bykun kur fryn stuhia! 15 Porsi zjarri që e përpin pyllin, porsi flaka që i djeg bjeshkët. 16 Po ashtu dëboji ata me furinë tënde, tmerroji ti me thëllimin tënd! 17 Mbuloju fytyrën me turp që ta kërkojnë Emrin tënd, o Zot. 18 Le të skuqen e le të turpërohen përgjithmonë, le t’i mbulojë turpi e le të sharrojnë, 19 që ta dinë se emri yt është Zot: 2 se je i Larti Perëndi mbi botën mbarë. PSALMI 84 /83/ Këngë shtegtimi Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Shrydhësit... ”. I bijve të Koreut. Psalm. Sa të dashura janë banesat e tua, o Zoti i rruzullimit! 3 Shpirti im shkrihet e meket për pallatet e Zotit. Zemra ime e trupi im i brohoritin Hyjit të gjallë. 4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet edhe turtulli çerdhen e vet ku i vë zogjtë e vet: e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, Mbreti im e Hyji im! 5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: do të të lavdërojnë për amshim. 6 Lum ai që në ty gjen forcën dhe vendos për shtegtim të shenjtë. 7 Kur kalojnë nëpër luginën e thatë e shndërrojnë në burim uji të gjallë, sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime. 8 Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion. 9 O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo lutjen time, më vështro, o Hyji i Jakobit. 10 Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd! 11 Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde se të tjera me mijëra! Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve. 12 Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, ai dhuron hirin e nderin. Zoti nuk ua mohon të mirat atyre që jetojnë të pafajshëm. 13 O Zot Sabaot, lum njeriu që shpreson në ty! 1 2 PSALMI 85 /84/ Lutje për paqe 1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Psalm. Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, i riatdhesove të humburit e Jakobit. 2 3 Ia fale fajet popullit tënd, i mbulove të gjitha mëkatet e tyre. 4 I vure cak zemërumit tënd të madh, zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd. 5 Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, largoje zemërimin tënd prej nesh. 6 A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni? 7 Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë që populli yt të gëzohet në ty? 8 Na e trego, o Zot, mëshirën tënde e na jep shëlbimin tënd! 9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, ai premton paqe për popullin e vet, për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen. 10 Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë, lavdia e tij do të banojë në vendin tonë. 11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, drejtësia e paqja do të merren ngrykë. 12 E vërteta do të mbijë nga toka e drejtësia do të shikojë prej qiellit. 13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë edhe toka jonë do ta japë frytin e vet. 14 Drejtësia do t’i shkojë përpara dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij. PSALMI 86 /85/ Lutja në vështirësi 1 Lutje. E Davidit. Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, sepse jam i mjerë e skamnor. 2 Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty. 3 Ki mëshirë për mua, o Zot, se gjithë ditën të thërras në ndihmë. 4 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. 5 Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë. 6 Dëgjoje, o Zot, lutjen time, vështroje zërin e lutjes sime. 7 Në ditë të vështirë klitha tek ti pse e di se ti më dëgjon. 8 Nuk ka hyjni që të përngjan ty, o Zot, asgjë s’mund të matet me veprat e tua. 9 Të gjithë paganët prej teje të krijuar, do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, dhe do të madhërojnë Emrin tënd, 10 sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, ti je i vetmi Hyj. 11 Ma mëso, o Zot, udhën tënde, që të eci sipas drejtësisë sate, mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd. 12 Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im, me gjithë zemrën time, për amshim do ta madhëroj Emrin tënd. 13 Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës. 14 O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, një grumbull të marrësh ma helmuan jetën e për ty nuk janë kujdes. 15 Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e durim, 16 shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, jepi fuqi shërbëtorit tënd dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate. 17 Bëj për mua një shenjë mirësie, që të shohin urryesit e mi e të turpërohen se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon. PSALMI 87 /86/ Sioni, nëna e të gjithë popujve 1 I bijve të Koreut. Psalm. Këngë. Themelet e tija janë mbi malet e shenjta, 2 Zoti i do më shumë dyert e Sionit se të gjitha banesat e Jakobit. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qyteti i Hyjit! 4 “Po përmend Rahabin e Babiloninë ndër ato që më njohin; ja, Filisteja, Tiri e Etiopia - edhe ato lindën atje.” 5 Për Sionin do të thuhet: “Të gjithë në të lindën, sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!” 6 Zoti do të shkruajë në librin e popujve: “Këta lindën atje!” 7 Dhe duke hequr valle do të këndojnë: “Të gjitha burimet e mia janë në ty!” PSALMI 88 /87/ Lutje në ditën e ngushticës së madhe 1 Këngë. Psalm. I bijve të Koreut. Mjeshtrit të korit. Me melodi: “Sëmundja”. Këngë mësimi. E Eman Ezrahitit. 2 O Zot, Hyji i shpëtimit tim, ditë e natë jap kushtrim para teje. 3 Le të mbërrijë te ti lutja ime, vëru vesh dënesave të mia. 4 Sepse shpirti im është plot me vuajtje, jeta ime është në grykën e varrit; 5 po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë: 6 i lirë si ata që vdiqën, porsi të vrarët që pushojnë në varre, të cilët ti më nuk i kujton, që janë shkëputur nga dora jote. 7 Më plandose në shpellë pa fund, në errësirë e në hijen e vdekjes. 8 Zemërimi yt rëndon mbi mua, valët e tua i hodhe mbi mua. 9 Prej meje i largove të njohurit e mi, për ta më bëre të jem i neveritshëm, jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, 10 prej mjerimit sytë e mi po shteren. Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, duart e mia drejt teje i shtrij. 11 Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? A thua hijet ngrihen për të lëvduar? 12 Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, për besën tënde në vendin e shkatërrimit? 13 Në errësirë njihen mrekullitë e tua, në vend të harresës drejtësia jote? 14 E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, lutja ime në mëngjes mbërrin para teje. 15 Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? Përse fytyrën tënde e fsheh para meje? 16 I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, më këputi barra e tmerrimeve të tua. 17 Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, përdhe më shtruan provat e tua! 18 Më kanë rrethuar pa pushim si uji, grumbullohen mbi mua njëheresh. 19 M’i largove miq e të afërm, bëj shoqëri veç me errësirën. PSALMI 89 /88/ Himn e lutje Hyjit besnik 1 Poemë. E Etan Ezrahitit. Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, brez pas brezi goja ime do të shpallë besnikërinë tënde. 3 Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”, në qiell është e themeluar besnikëria jote! 4 “Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim: 5 Farën tënde do ta ruaj për amshim, froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.” 6 Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde! 7 E kush ndër re është i barabartë me Zotin? Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin? 8 I tmerrshëm është Hyji në kuvendin e shenjtërve, i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë ata që i rrinë përreth. 9 O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon! 10 Ti zotëron krenarinë e detit, ua ul kokën valëve të tërbuara. 11 Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave. 12 Yti është qielli, jotja është toka, ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban. 13 Veriun e jugun ti i krijove, Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd. 14 Krahu yt është plot fuqi, e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote! 15 Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara. 16 Lum ai popull që di të brohoritë, që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot! 17 Përherë do të gëzojë në Emërin tënd, e do të mburret në drejtësinë tënde. 18 Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre e me hirin tënd rritet fuqia jonë. 19 Sepse i Zotit është shqyti ynë, mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit! 20 Dikur, në një vëgim, fole me miqtë e tu e u the: “Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, e lartësova një djalosh nga populli. 21 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, 2 e leva me vajin tim të shenjtë. 22 Dora ime gjithmonë do të jetë me të, dhe krahu im përherë do ta kërthndezë. 23 Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë. 24 Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, do t’i shfarosë kundërshtarët e tij. 25 Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti. 26 Dorën e tij do ta shtrij mbi det, të djathtën e tij përmbi lumenj. 27 Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’, 28 kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, më të madhin ndër mbretërit e tokës. 29 Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej. 30 Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, fronin e tij porsi ditët e qiellit. 31 Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, e në mos ecshin ligjeve të mia, 32 po nuk zbatuan vendimet e mia, po i shkelën urdhërimet e mia, 33 me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre. 34 Por nuk do ta këpus dashurinë me të as nuk do ta prish besnikërinë time. 35 Nuk do ta thyej besëlidhjen time as s’do t’i zhbëj premtimet e mia. 36 Një herë u përbetova me shenjtërinë time: ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në gënjeshtër!’ 37 Fara e tij do të qëndrojë për amshim, froni i tij para meje si dielli, 38 do të qëndrojë për amshim si hëna, dëshmitare besnike mbi re”. 39 Por tani e flake dhe e përbuze, u zemërove kundër të shuguruarit tënd. 40 E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, në llum e hodhe kezën e tij. 41 I rrënove të gjitha muret e tija, rrënoja të frikshme kështjellat e tija. 42 Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm. 43 E lartësove të djathtën e armiqve të tij, i gëzove të gjithë armiqtë e tij. 44 Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë. 45 I dhe fund shkëlqimit të tij, e përdhe fronin ia rrëzove. 46 Ia shkurtove ditët e rinisë, e mbulove me poshtërim e turp. 47 Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, flakë do të ndizet hidhërimi yt? 48 Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! Vallë, thua kot i krijove njerëzit? 49 Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, prej Nëntokës kush do ta shpëtojë jetën? 50 Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat që me be ia premtove Davidit? 51 Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve, 52 që na bënë armiqtë e tu, o Zot, çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd. 53 Qoftë bekuar Zoti për amshim. Amen! Amen! LIBRI IV /PSALMET 90-106/ PSALMI 90 /89/ Kotësia e jetës së njeriut 1 Lutje e Moisiut, njeriut të Hyjit. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni. 2 Para se të lindnin malet, para se të bëhej toka dhe rruzulli, prej amshimit të amshimit ti je Hyj! 3 Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!” 4 Sepse mijëra vjet për sy të tu janë si dita e djeshme që kaloi, porsi ndërresa e rojës së natës! 5 Ti i zhduk në gjasim të gjumit 6 që në mëngjes kalon si bari; lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, në mbrëmje korret edhe vyshket! 7 Sepse na shkatërroi zemërimi yt, na tmerroi furia e zemërimit tënd. 8 Para vetes i vure fajet tona, të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate. 9 Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, si një ofshamë mbaruan vitet tona. 10 Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë, por shumica me mundim e dhembje, kalojnë shpejt e ne prej këndej përkasim. 11 Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, zemërimin tënd siç e kërkon frika jote? 12 Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë. 13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu! 14 Na e trego në mëngjes mëshirën tënde e do të gëzohemi e do të galdojmë të gjitha ditët e jetës sonë. 15 Gëzona për ditët që na mundove, për vitet që i kaluam në mjerim. 16 Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre! 17 Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, të përparojë vepra e duarve tona. PSALMI 91 /90/ Nën mbrojtjen hyjnore 1 Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit. 2 Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im, kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të”. 3 Sepse Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarëve dhe nga fjala dijekeqe. 4 Do të të bëjë hije me krahët e vet do të strehohesh nën fletët e tija, shqyt e pancir e vërteta e tij. 5 Nuk do të frikësohesh prej tmerrit të natës, as prej shigjete që fluturon ditën, 6 as prej murtaje që shëtit në errësirë, as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë. 7 Le të bien me mijëra rreth teje, dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të ndodhë asgjë! 8 Porsa ti me sy të vetëtish, shpagimin e mëkatarit do ta shikosh! 9 Pasi Zoti është mburoja jote dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd, 10 e keqe nuk do të të gjejë, dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate: 11 sepse engjëjve të vet urdhër u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua. 12 Do të të mbartin para duarsh që padashje të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur. 13 Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj. 14 “Do ta shpëtoj sepse më do, do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim. 15 Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, në vështirësi do të jem me të, do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj. 16 Do t’i dhuroj jetë të gjatë, do t’ia tregoj shëlbimin tim”. PSALMI 92 /91/ Këngë e të drejtit 1 Psalm. Këngë. Për të shtunën. Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë. 3 Të shpallim dashurinë në mëngjes e gjatë natës bësnikërinë tënde, 4 me harpë dhjetëkordash e me lirë, me këngë përcjellë me cetër. 5 Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, kënaqem për veprat e duarve të tua. 6 Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, sa të thella mendimet e tua! 7 Njeriu i pamend nuk i di, dhe i marri nuk do t’i kuptojë. 8 Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, e në lulëzofshin ata që bëjnë keq, janë të caktuar për bjerrje të pasosur, 9 vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot! 10 Sepse ja, o Zot, armiqtë e tu, sepse ja, o Zot, armiqtë e tu do të birren, do të shpërndahen të gjithë keqbërësit. 11 Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, më shugurove me më të pastrin vaj. 12 Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi. 13 I drejti lulëzon si palma, rritet porsi cedri i Libanit. 14 Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë. 15 Japin fruta edhe në pleqëri, janë të kërthndeztë e plot shëndet, 16 për të shpallur se Zoti është i drejtë: Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta! 2 PSALMI 93 /92/ Hyji i madhërishëm 1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri! Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh. Të palëkundshme e bëri botën: assesi s’do të trandet! 2 I patundshëm është froni yt që prejfillimit, ti je i amshueshëm! 3 Lumenjtë e ngritën, o Zot, lumenjtë e ngritën zërin e vet, lumenjtë e ngritën ushtimën e vet shurdhuese! 4 Më i fortë se ushtima e ujërave të mëdha, më i përfrigueshëm se deti i tërbuar: i madhërueshëm është Zoti në lartësi! 5 Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme, shenjtëria i përket Shtëpisë sate përgjithmonë e jetës, o Zot. PSALMI 94 /93/ Hyji i drejtësisë 1 O Zot, Hyji shpagues, dëftohu, o Hyji shpagues! 2 Çohu, Gjykatësi i dheut, shpaguaji madhështorët! 3 Deri kur mëkatarët, o Zot, deri kur do të galdojnë mëkatarët? 4 Do të shpotisin e do të flasin me përbuzje, do të krenohen ata që bëjnë paudhësi? 5 E poshtërojnë popullin tënd, o Zot, e shtypin pronën tënde, 6 vrasin vejushën e ardhacakun, mbysin bonjakët 7 e thonë: “Zoti nuk sheh, s’di gjë Hyji i Jakobit”! 8 Merrni vesh, o marrashat e popullit, ju, o të marrë, kur do të zini mend? 9 Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë? Ai që përftoi syrin nuk do të shohë? 10 Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë, ai që ia mëson njeriut dijen? 11 Zoti i di mendimet e njërëzve: ato janë të zbrazëta! 12 Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot, të cilit ti ia mëson Ligjin tënd, për t’i dhënë paqe në ditë fatzeza ndërkohë që keqbërësit t’i hapet gropa. 14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet, as s’do të heqë dorë nga prona e vet, 15 sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët. 16 Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve? Kush do të qëndrojë bashkë me mua kundër të paudhëve? 17 Po të mos e kisha pasur në ndihmë Zotin, përpak shpirti im do të banonte në vendin e Heshtjes! 18 Kur unë kujtoja: “Më rrëshqiti këmba!”, dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën! 19 Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën. 20 A mund të shoqërohet me ty selia e paudhësisë që stërhollon ligjin për të krijuar mjerim? 21 Sulen kundër jetës së të drejtit e dënojnë gjakun e pafajshëm. 22 Por Hyji u bë kështjella ime, Hyji është Qeta ku unë strehohem, 23 do t’i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre, me të keqen e tyre ai do t’i shfarosë, farën do t’ua tresë Zoti, Hyji ynë. 13 PSALMI 95 /94/ Ftesë për t’i dhënë lavdi Hyjit Ejani t’i këndojmë Zotit, t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë. 2 T’i dalim para me falenderim, t’i këndojmë këngë hareje! 3 Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat! 4 Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, të tijat janë edhe majat e maleve, 5 i tiji është deti - ai e krijoi, duart e tija e formuan tokën. 6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi! 7 Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai ruan. 8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë, 9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, kur etërit tuaj më vunë në sprovë: më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. 1 10 Dyzet vjet më mërziti ajo brezni e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky, 11 që s’i njeh udhët e mia.’ Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’” PSALMI 96 /95/ Zoti mbret dhe gjykatës 1 Këndoni Zotit një këngë të re! Mbarë toka le t’i këndojë Zotit! 2 Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij! 3 Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, ndër mbarë popujt mrekullitë e tija! 4 Sepse i madh është Zoti, - tejet i denjë për t’u lavdëruar, më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë! 5 Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, kurse Zoti e ka krijuar qiellin. 6 Para tij është shkëlqimi e lavdia, në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria! 7 Jepni Zotit, familjet e popujve, jepni Zotit nder e fuqi, 8 jepjani Zotit nderin e Emrit të tij! Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tija, 9 adhuroni Zotin në stoli të shenjtë! Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! 10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”! Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; i gjykon popujt me drejtësi. 11 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! Le të buçasë deti me ç’ka në të, 12 le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të, le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, 13 para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, sepse po vjen për të gjykuar tokën! Do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij. PSALMI 97 /96/ Zoti ngadhënjen 1 Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, le të gëzohen ishujt e shumtë! 2 Re e errësirë janë përreth tij, e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij. 3 Zjarri shkon përpara tij dhe i djeg armiqtë e tij përreth. 4 Vetëtimat e tija e shndritin botën, sheh toka e dridhet! 5 Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, para fytyrës së Zotit të mbarë botës! 6 Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij. 7 I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, të gjithë që mburren në trupore idhujsh! Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëjt e tij! 8 Dëgjoi Sioni e u gëzua, galduan bijat e Judës. për shkak të gjyqeve të tua, o Zot. 9 Sepse ti je, o Zot, i Tejetlarti mbi mbarë dheun, ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat. 10 Urreni të keqen ju që e doni Zotin, Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, i shpëton prej dorës së mëkatarit. 11 Lindi drita për të drejtin, e gëzimi për zemërmirët. 12 Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, nderojeni Emrin e tij të shenjtë. PSALMI 98 /97/ Zoti gjykatës i tokës 1 Psalm. Këndoni Zotit një këngë të re, sepse bëri vepra të mrekullueshme! Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, me fuqi të krahut të vet të shenjtë. 2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet. 3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet kundrejt shtëpisë së Izraelit. Të gjitha skajet e botës e panë shëlbimin e Hyjit tonë. 4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit, le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë. 5 Këndoni Zotit me harpë, me tinguj veglash muzikore, 6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret! 7 Le të buçasë deti me ç’ka në të, rruzulli me banuesit e tij; 8 lumenjtë le të duartrokasin e malet le të gërthasin me hare, 9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi e popujt me maturi. PSALMI 99 /98/ Zoti, mbret i drejtë e i shenjtë 1 Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! Rri mbi kerubinë, le të trandet toka! 2 I madh është Zoti në Sion, i madhërueshëm mbi të gjithë popujt. 3 Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, sepse është i shenjtë. 4 Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: ti ke caktuar ç’është e drejtë, gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin. 5 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tija, sepse është i shenjtë. 6 Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte. 7 Nga shtylla e resë fliste me ta: i dëgjonin urdhërimet e tija edhe Ligjet që ua kishte dhënë. 8 O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre. 9 Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, adhuroni në malin e tij të shenjtë, sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë. PSALMI 100 /99/ Grishje për të lavdëruar Zotin 1 Psalm. Për falënderim. Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit, shërbejini Zotit me hare, dilni para tij me brohoritje! 3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj: Ai na krijoi e atij i përkasim: jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij. 4 Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavd, 2 hyni në treme të tija e këndoni himne, lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij! 5 Sepse i mirë është Zoti, e amshuar dashuria e tij, nga breznia në brezni besnikëria e tij. PSALMI 101 /100/ Pasqyra e sunduesit të mirë 1 I Davidit. Psalm. Dua të këndoj dashurinë e drejtësinë, për nderin tënd, o Zot, do t’i bie muzikës! 2 Do të përparoj në udhën e pafajësisë: kur do të vish ti tek unë? Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime, brenda shtëpisë sime. 3 S’do të vë para syve të mi asnjë padrejtësi, e urrej njeriun që vepron të keqen: nuk do të qëndrojë afër meje. 4 Zemra e keqe do të jetë larg meje, keqbërësin s’dua ta njoh. 5 Atë që fshehtas i shpifet të afërmit të vet unë do ta zhduk. Mendjemadhin dhe krenarin nuk do ta duroj. 6 I kam sytë mbi të drejtët e vendit që të banojnë bashkë me mua, ai që ecën udhës së pafajësisë, do të jetë shërbëtori im. 7 Nuk do të banojë brenda shtëpisë sime ai që gënjen, ai që flet gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi. 8 Çdo mëngjes do të shfaros keqbërësit e vendit, do t’i shfarosë prej qytetit të Zotit të gjithë ata që bëjnë paudhësi. PSALMI 102 /101/ Lutja në fatkeqësi 1 Lutja e të mjerit të rënë ngushtë që derdh ankthin e vet para Zotit. 2 O Zot, dëgjoje lutjen time e britma ime le të mbërrijë tek ti. 3 Mos e fsheh fytyrën tënde para meje në ditën time të vështirë, prire veshin tënd drejt meje: kurdo të të thërras më dëgjo shpejt! 4 Sepse ditët e mi po zhduken si tymi, e eshtrat e mia po digjen si zjarri. 5 Zemra po më thahet si bari i kositur e po harroj të ha edhe bukën time. 6 Prej gjëmave të mia të mëdha u bëra asht e lëkurë. 7 U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, u bëra porsi kukuvajka në rrënoja. 8 Rri zgjuar e rënkoj porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz. 9 Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, kur më zemërohen, e nëmin emrin tim. 10 Ha hi porsi bukë, e pijen time e përziej me lot. 11 Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, sepse më lartësove e më mposhte. 12 Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur e unë u thava porsi bari. 13 Por ti, o Zot, qëndron për amshim, prej breznie në brezni Emri yt. 14 Ngrihu, ki dhembje për Sionin: ka ardhur koha të kesh mëshirë për të - pikërisht tani është koha! 15 Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij e u dhembet edhe pluhuri i tij. 16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde. 17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, u dëftua në lavdinë e vet. 18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve dhe nuk e përbuzi lutjen e tyre. 19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin. 20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, nga qielli ai vrojton mbi tokë, 21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje, 22 që në Sion të shpallet Emri i Zotit e lavdia e tij në Jerusalem, 23 kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë për t’u vënë në shërbimin e Zotit. 24 Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, ditët m’i shkurtove. Do të them: “Hyji im, 25 mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni. 26 Që në fillim themelove Tokën edhe qielli është vepër e duarve të tua. 27 Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, gjithçka do të vjetrohet si petku. Ti i shndërron porsi veshjet e zhduken, 28 kurse ti i vetmi je gjithmonë i njejtë, - vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur. 29 Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.” PSALMI 103 /102/ Hyji është dashuri 1 I Davidit. Bekoje, shpirti im Zotin, dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë. 2 Bekoje, shpirti im Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija. 3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua; 4 Ai ta shpëton jetën prej varrit, ai të kurorëzon me mirësi e dashuri, 5 me të mira t’i mbush vitet e tua: do të përtërihet si shqiponjës rinia jote. 6 Zoti bën veç vepra të mira, u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi. 7 Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, bijve të Izraelit veprat e veta. 8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. 9 Nuk zemërohet gjithherë as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës. 10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona. 11 Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë. 12 Sa është lindja larg perëndimit aq larg i hedh prej nesh fajet tona. 13 Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë. 14 Sepse mirë e di si jemi të përbërë, s’e harron se ne jemi pluhur. 15 Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: porsi lulja e fushës lulëzon, 16 sa e prek era e më s’është, më s’e kujton as vendi i vet. 17 Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit e në amshim mbi ata që e druajnë 18 dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar. 19 Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, mbretëria e tij mbizotëron të gjithë. 20 Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, duke i dëgjuar urdhrat e tij. 21 Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija, shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij. 22 Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, në çdo vend të sundimit të tij! Shpirti im, bekoje Zotin! PSALMI 104 /103/ Himn Hyjit Krijues 1 Bekoje, shpirti im, Zotin! O Zot, Hyji im, sa i madh je! I veshur me madhëri e me bukuri, 2 i mbështjellë me dritë porsi me petk! E ngreh qiellin porsi tendë, 3 mbi ujëra ndërton banesat e tua. Retë i bëre karrocë për vete, ecën mbi krahët e erës! 4 Erërat i bën lajmëtarë të tu, zjarrin zharitës shërbëtorë të tu. 5 Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve. 6 E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, majat e maleve i mbulonin ujërat: 7 Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, dridhen nga zëri i bubullimës sate: 8 ngjiten në male, zbresin në lugina drejt vendit që ti u cakton: 9 u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, që përsëri të mos e mbulojnë tokën. 10 Burimet ti i kthen në përrenj, rrjedhin përmes malesh; 11 ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, ua shuajnë etjen gomarëve të egër. 12 Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, degë më degë ia thonë këngës së vet. 13 Ti i ujit malet nga pallatet e tua, toka ngihet me frytet e duarve të tua. 14 Ti bën të mbijë bar për kafshë, bimë të tjera të nevojshme për njeriun, për të nxjerrë prej tokës bukën 15 e verën që gëzon zemrën e njeriut, që me vaj ta lyejë fytyrën e që buka t’ia kërkthndezë njeriut zemrën. 16 Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli. 17 Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre. 18 Malet e larta strehim u japin shutave, e shpellat vjedullave banesën. 19 Për të shënuar stinët ka krijuar hënën edhe diellin që e njeh përëndimin e vet. 20 Shtrin errësirën e bëhet natë: nëpër të enden egërsirat e pyllit. 21 Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete. 22 Kur lind dielli ata tërhiqen e struken në strofujt e vet. 23 Atëherë del njeriu për të vepruar për t’i kryer punët deri në mbrëmje. 24 Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: plot është toka me krijesat e tua. 25 Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, kafshë të vogla të përziera me të mëdha! 26 Nëpër të kalojnë anijet, Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të! 27 Të gjitha këto presin me shpresë që t’u japësh ushqim në kohën e duhur. 28 Po u dhe ti ato mbledhin, kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira. 29 Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, po ua more frymën, ato ngordhin dhe kthehen në pluhur përsëri. 30 Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen dhe e rinon fytyrën e dheut. 31 E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, u gëzoftë Zoti në veprat e veta! 32 E shikon tokën dhe e bën të dridhet, i prek malet e i bën të tymojnë. 33 Do t’i këndoj Zotit në jetën time, do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë. 34 I pëlqeftë Zotit kënga ime, kënaqësinë time e kam vënë në Zotin! 35 U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! Bekoje, shpirti im, Zotin! PSALMI 105 /104/ Historia e mrekullueshme e Izraelit 1 ALELUJA! Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij shpallni mes popujsh veprat e madhërueshme të tijat! 2 Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij, kujtoni të gjitha mrekullitë e tija! 3 Mburruni me Emrin e tij të shenjtë: le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin. 4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij! 5 T’ju bien në mend mrekullitë që bëri, mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij: 6 ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij, ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij! 7 Ai është Zoti, Hyji ynë, mbi mbarë tokën gjyqet e tija! 8 Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë, premtimin që ua bëri një mijë breznive, 9 lidhjen që e bëri me Abrahamin dhe përbetimin që i bëri Izakut. 10 Premtimin e vet e ngriti ligj për Jakobin, për Izraelin e bëri testament të përhershëm 11 kur tha: “Ty do të ta jap tokën Kanaan, për pronë tuajën që ju ra me short!” 12 Kur ende ishin pak me numër, krejtësisht të paktë dhe endacakë në të, 13 kur kalonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër, 14 nuk lejoi njeri t’u bëjë keq dhe i ndëshkoi mbretërit për shkak të tyre: 15 “Mos i prekni të shuguruarit e mi, mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi!” 16 Ai e grishi urinë përmbi dhe, ua sosi të gjitha rezervat e bukës. 17 Para tyre dërgoi një njeri: Jozefin e shitur skllav. 18 I qitën në pranga këmbët e tija, në qafë i mbërthyen hekurat, 19 ditët kalonin e profecia iu plotësua, fjala e Zotit i dha të drejtë. 20 Mbreti urdhëroi të zgjidhej prej prangash, kryetari i popujve, e çliroi. 21 E bëri zot shtëpie të shtëpisë së vet, kujdestar përmbi pasurinë e vet, 22 princat e mbretit t’i mësonte sipas urtisë së vet, pleqtë e tij t’i udhëzonte në urti. 23 Atëherë Izraeli hyri në Egjipt, Jakobi banoi në tokën e Kamit. 24 Zoti bëri të shtohet populli i vet, e bëri më të fortë se armiqtë e tij. 25 Ua shndërroi zemrën ta urrenin popullin e tij, të silleshin me dredhi kundër shërbëtorëve të tij. 26 Atëherë dërgoi Moisiun, shërbëtorin e vet, edhe Aronin, të zgjedhurin e vet. 27 Me anë të tyre bëri mrekullitë e veta, shenja të mrekullueshme në dheun e Kamit. 28 Çoi errësirën dhe u bë terr, por ata kundërshtuan fjalët e tija. 29 Ujët e tyre e shndërroi në gjak dhe i mbyti peshqit e tyre. 30 Vendin ua mbuluan bretkosat, depërtuan edhe në pallatet e mbretit. 31 Tha Zoti dhe i mbuluan mori mizash, mushkonjat ua mbuluan krejt vendin. 32 Në vend të shiut u dërgoi breshër, rrufe të zjarrta mbi vendin e tyre. 33 U copëtoi vreshta dhe fiq, ua theu drurët në tokën e tyre. 34 Ai urdhëroi dhe ia behën karkalecat, e me ta edhe veme të panumëruara. 35 Ua hëngrën të gjitha bimët e tokës, i përpinë të gjitha prodhimet e tokës së tyre. 36 I vrau të gjithë të parëlindurit e vendit të tyre, frytin e parë të fuqisë lindëse të tyre. 37 I nxori izraelitët me argjend e ar, në fiset e tyre nuk kishte asnjë të sëmurë. 38 U gëzua Egjipti kur ata e lëshuan vendin, sepse i kishte tmerruar frika e tyre. 39 E shtriu renë për t’i mbrojtur edhe zjarrin për t’u bërë dritë natën. 40 U lutën dhe u dërgoi shkurta dhe i ngiu me bukë të ardhur prej qiellit. 41 Çau shkëmbin e buroi uji, rrodhën lumenj nëpër shkretëtirë. 42 Sepse i ra ndër mend fjala e vet e shenjtë që ia dha Abrahamit, shërbëtorit të vet. 43 E nxori popullin e vet me brohori plot gëzim të zgjedhurit e vet. 44 Ua dha tokat e paganëve trashëguan djersën e popujve të ndryshëm, për t’i mbajtur urdhërimet e tija e për t’i ruajtur ligjet e tija. ALELUJA! 45 PSALMI 106 /105/ Rrëfim kombëtar 1 ALELUJA! Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij! 2 Kush mund t’i tregojë veprat e madhërueshme të Zotit, të bëjë të jehojnë të gjitha lavdet e tija? 3 Lum ata që i mbajnë urdhërimet e tija dhe veprojnë me drejtësi në çdo kohë. 4 Na kujto, o Zot, në mirësinë tënde ndaj popullit tënd, eja e na shih me shëlbimin tënd, 5 që ta shijojmë fatin e të zgjedhurve të tu, të gëzohemi në gëzimin e popullit tënd, të mburremi me trashëgimin tënd. 6 Mëkatuam, po, porsi etërit tanë, padrejtësisht vepruam, bëmë të keqen. 7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk e kujtuan përdëllimin tënd të madh, e të hidhëruan pranë detit, pranë Detit të Kuq. 8 Por Zoti i shpëtoi për nder të Emrit të vet, për ta bërë të njohur pushtetin e vet. 9 Zoti iu kërcënua Detit të Kuq e ky u tha dhe i kaloi nëpër det si nëpër shkretëtirë. 10 I shpëtoi prej duarve të armiqve, i shpërbleu prej kthetrave të urryesve. 11 I mbyti me ujë ata që i mundonin: asnjë prej tyre nuk shpëtoi! 12 Atëherë u besuan fjalëve të tija dhe i kënduan lavdet e tija. 13 Por shpejt i harruan veprat e tija e nuk u mbështetën në synimet e tija. 14 U leshguan për së tepërmi në shkretëtirë dhe e ngacmuan Hyjin në vend të paujë. 15 Ua plotësoi kërkesën e tyre ua ngiu grykësinë e tyre. 16 Smirë i morën Moisiut në tëbanishtë edhe Aronit, shenjtit të Zotit. 17 U hap toka dhe e përpiu Datanin e groposi turmën e Abiramit. 18 U ndez zjarri në mbledhjen e tyre edhe flaka i dogji mëkatarët. 19 E punuan një viç në Horeb, adhuruan një shtatore metali. 20 E ndërruan Hyjin e tyre me truporen e një kau që ha sanë. 21 Harruan Hyjin që i shpëtoi, që bëri mrekulli në Egjipt, 22 punë të madhërishme në dheun e Kamit, emnesë në Detin e Kuq. 23 Mendoi Hyji farën t’ua shuante, por iu lut Moisiu, i zgjedhuri i tij, ndërmjetësoi përpara fytyrës së tij për ta ngurruar zemërimin e tij, e dëgjoi e nuk ua treti farën. 24 Nuk shfaqën kujdes për tokën e dëshirueshme, nuk i besuan premtimit të tij. 25 Nynykatën në çadrat e tyre, nuk i vinin veshin zërit të Zotit. 26 Zoti e ngriti dorën e vet mbi ta, për t’i shtruar rrah në shkretëtirë, 27 se do t’i shpërndante trashëgimtarët e tyre ndër kombe, për të kërkuar vend më vend dherat e huaja. 28 Iu kushtuan hyjit Beelfegor, hëngrën flitë e të vdekurve. 29 E zemëruan Zotin me veprat e veta të këqija e mbi ta u sul plaga. 30 Flakëroi Fineesi e bëri gjyq e atëherë u zhduk plaga. 31 E iu çmua kjo vepër drejtësi brez pas brezi për amshim. 32 Prapë e hidhëruan tek ujërat Meriba, për shkak të tyre qe ndëshkuar edhe Moisiu, 33 sepse shpirtin aq fort ia helmuan saqë foli marrëzisht me buzë të veta. 34 Ata nuk i zhdukën popujt sikurse Zoti u kishte urdhëruar, 35 por u përzien me paganë dhe i mësuan veprat e tyre. 36 U shërbyen idhujve të tyre dhe këta u bënë kurth për ta. 37 I flijuan djemtë e vet e vajzat e veta djajve. 38 Derdhën gjakun e pafajshëm, gjakun e djemve dhe të vajzave të veta duke ua bërë therore idhujve të Kanaanit, vendi mbarë qe njollosur prej gjakut. 39 U përlyen me veprat e veta, nuk ia mbajtën besnikërinë me vepra të këqija. 40 Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet iu ndy ndër sy trashëgimi i vet. 41 I lëshoi në duar të paganëve: i sunduan ata që i urrenin. 42 Armiqtë e tyre i përndoqën dhe qenë mposhtur nën kthetrat e tyre. 43 Shpeshherë Ai i shpëtonte, por ata e hidhëronin me synimet e tyre dhe njolloseshin më zi në poshtërsitë e veta. 44 Përsëri i priri sytë e vet mbi ta kur e dëgjoi lutjen e tyre. 45 I ra ndër mend Besëlidhja me ta dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh. 46 Bëri të gjejnë mëshirë tek ata që i mbanin në robëri. 47 Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, dhe na bashko prej popujve paganë që ta lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë e të mburremi me lavdinë tënde. 48 Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, nga shekulli në shekull! Mbarë populli le të thotë: Amen! Amen! LIBRI V /PSALMET 107-150/ PSALMI 107 /106/ Hyji e shpëton njeriun nga çdo rrezik 1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij. 2 Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, që i çliroi nga kthetrat e armikut 3 dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme nga ku lind dielli e ku perëndon, nga veriu e nga ana e detit. 4 U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit. 5 Të uritur e të etur shpirti i tyre ishte mekur në ta! 6 Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre. 7 Ai i nxorri në udhën e drejtë që të shkonin në qytetin e banimit. 8 Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve, 9 që ngiu shpirtin e të eturit, e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit. 10 Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, të lidhur në mjerim edhe në pranga, 11 sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit. 12 Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte. 13 Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre. 14 I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes e i këputi zinxhirët e tyre. 15 Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve, 16 sepse i theu dyert e bronzta dhe i këputi shulat e hekurt. 17 Të marrë për shkak të jetës së paudhë, të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit, 18 shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, arritën në dyert e vdekjes. 19 Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre. 20 E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa e varrit. 21 Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve, 22 le t’i flijojnë flinë e lavdit, me hare le t’i shpallin veprat e tija! 23 Ata që me anije lundruan deteve që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti, 24 ata i panë veprat e Zotit, mrekullitë e tija në thellësitë e detit. 25 Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, lart u ngritën valët e stuhishme. 26 Ngrihen deri në qiell, zbresin deri në humbnerë: shpirti i tyre mekej prej së keqes. 27 Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre. 28 Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre. 29 Stuhinë e shndërroi në puhi e valët e detit e shuan gjëmën e vet. 30 Iu gëzuan qetësimit të valëve, ai i nxorri në portin e dëshiruar. 31 Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të dhembshurisë së të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve, 32 le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve. 33 Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, në vende të thata burimet e ujërave, 34 tokën e pëlleshme në këneta për shkak të veprave të këqija të banorëve. 35 Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla. 36 Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, dhe themeluan qytetin e banimit. 37 Mbollën arat e vunë vreshtat dhe u prodhuan fryte me shumicë. 38 Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, as grigjat e tyre nuk u pakësuan. 39 Pastaj qenë dhjetuar e munduar nga vuajtjet edhe nga dhembjet. 40 Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë. 41 I shpëtoi skamnorët nga mjerimi dhe i shumoi si grigjat familjet. 42 Shohin të drejtët e le të gëzohen, kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet. 43 Kush është i mençur le t’i kujtojë këto, do ta shohë mirësinë e Zotit. PSALMI 108 /107/ Himn mëngjesor e lutje kombëtare 1 Këngë. Psalm. I Davidit. E gatshme është zemra ime, o Hyj, e gatshme është zemra ime: do të këndoj e do të luaj në harpë! Ja, lavdia ime! 3 Zgjohu, harpë e cetër, agimin dua ta zgjoj! 4 Do të të lavdëroj ty, o Zot, mes popujve, për ty do të luaj me harpë mes kombeve, 5 sepse e madhërueshme është deri në qiell mëshira jote, deri në re e vërteta jote! 6 Lartësohu, o Hyj, lart përmbi qiell, përmbi mbarë dheun le të shndritë lavdia jote! 7 Që të çlirohen të dashurit e tu, le të më shpëtojë e djathta jote e më dëgjo! 8 Hyji u përbetua në Shenjtëroren e vet: “Do të kënaqem, dua ta ndaj Sikimën, masën do t’ia vë luginës Sukot. 9 Imi është Galaadi, imi është Manaseu, Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im! 2 10 Moabi legeni ku unë lahem; mbi Idumé do ta hedh këpucën time, mbi Filisté do të këndoj fitoren”. 11 Kush do të më prijë deri në qytet - fortesë? Kush do të më prijë deri në Idumé? 12 Vallë, jo ti, o Hyj, që na braktise? Pse a s’do të dalësh, o Hyj, me ushtritë tona? 13 Na ndihmo, deh, kundër armiqve sepse i kotë është shpëtimi që vjen prej njerëzve. 14 Me ndihmën e Hyjit do të bëjmë trimëri të madhe, Ai do t’i shkelë armiqtë tanë! PSALMI 109 /108/ Psalm nëmës 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. O Hyj, nderi im, mos rri në heshtje, 2 sepse goja e mëkatarit e goja e dinakut u hap kundër meje. Folën kundër meje me gjuhë ziliqare, 3 më rrethojnë me fjalë urrejtjeje, më sulmojnë pa farë arsyeje. 4 Dashurinë time e shpërblejnë me shpifje e unë vetëm lutem. 5 Të mirën ma kthejnë me të keqe e dashurinë time ma shpaguajnë me urrejtje. 6 “Lëshoje kundër tij të paudhin, paditësi le t’i rrijë në të djathtë. 7 Kur të gjykohet le të dalë i dënuar, lutja e tij në mëkat iu ktheftë. 8 Ditët e tija iu pakofshin, shërbesën e tij e marrtë një tjetër! 9 Fëmijët e tij mbetshin jetimë, gruaja e tij vejushë. 10 Të bijtë iu bëfshin endacakë e lypës, u dëbofshin jashtë rrënojës së tyre! 11 Kamatari ia rrëmbeftë pasurinë, të huajt ia përpifshin frytin e mundit të tij! 12 Askush për të mos pastë dhemshuri, askujt mos iu dhimbshin fëmijët e tij! 13 Dera e tij me ferra u mbylltë, në brezin e parë emri iu harroftë! 14 Zoti e pastë gjithnjë para sysh fajin e të parëve të tij, mos u shleftë as mëkati i nënës së tij. 15 Para syve të Zotit qofshin përherë dhe e zhduktë nga toka kujtimin e tyre!” 16 Sepse askurrë s’u kujtua të bëjë mëshirë, por e përndoqi skamnorin e lypësin, deri në vdekje e ndiqte njeriun zemërpërvëluar. 17 E deshi mallkimin - mbi të rëntë; s’e deshi bekimin - kurrë mos e pastë! 18 Me mallkim u vesh porsi me petk: e përshkoftë si uji në përmbrendësat e tija, porsi vaji në eshtrat e tij! 19 Iu bëftë porsi petku me të cilin mbulohet, porsi brezi me të cilin ngjeshet! 20 Këtë shpagim paçin para Zotit paditësit e mi, ata që flasin keq kundër shpirtit tim. 21 E ti, o Zot, o Zot, sillu me mua sipas Emrit tënd: më shpëto sepse e mirë është mëshira jote, 22 se unë jam nevojtar e skamnor, sepse e plagosur është zemra ime në mua. 23 Mbarova porsi hija kur shkon në të sosur, më dëbojnë si të isha karkalec! 24 Gjunjët po më lëshojnë prej agjërimit, mishi im u tha pa pikën e dhjamit. 25 Përqeshje për ta unë u bëra, tundin kokën kur mbi mua shikojnë. 26 Më ndihmo, o Zot, Hyji im, më shpëto në saje të mëshirës sate, 27 le ta dinë se kjo është dora jote: se ti, o Zot, e bëre këtë vepër! 28 Ata le të mallkojnë, por ti beko; le të turpërohen ata që më salvojnë, kurse shërbëtori yt le të gëzohet! 29 I mbuloftë turpi shpifësit e mi, le të mbulohen si me llahik me turpin e vet! 30 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, në sheshin e burrave do ta nderoj, 31 sepse Ai i rri në të djathtë skamnorit, për ta shpëtuar nga gjykatësit shpirtin e tij. PSALMI 110 /109/ Priftëria e Mesisë 1 I Davidit. Psalm. I tha Zoti Zotit tim: “Rri në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu shtrojë për këmbët e tua”! 2 Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: sundo mes armiqve të tu! 3 Ty të përket më i larti pushtet në ditën e fuqisë sate në shkëlqime të shenjta nga kraharori para Yllit të Dritës unë të linda. Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: “Ti je prift për amshim në mënyrën e Melkizedekut”. 5 Zoti është në të djathtën tënde, i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet. 6 Popujt do t’i gjykojë: grumbuj kufomash, koka të prera me shumicë mbi dhe! 7 Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, prandaj lart do ta ngrejë kokën. 4 PSALMI 111 /110/ Lavdi veprave të Hyjit 1 ALELUJA! Alef Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin, Bet në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre. Gimel 2 Të mëdha janë veprat e Hyjit, Dalet për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan. He 3 Stoli e shkëlqim është vepra e tij, Vau drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve. Zain 4 U ngreh përmendore mrekullive të veta, Het i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti. Tet 5 U jep ushqim atyre që e druajnë, Jod kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet. Kaf 6 Popullit të vet ia kumtoi fuqinë e veprave të veta, Lamed duke ua dhuruar pronën e paganëve. Mem 7 Veprat e duarve të tija janë drejtësi e besnikëri, Nun urdhërimet e tija janë të vërteta, Samek 8 të qëndrueshme në jetë të jetëve, Ain të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë. Fe 9 Shpërblim i dha popullit të vet, Sade Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme: Kof i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij. Res 10 Fillimi i dijes është frika e Zotit, Sin janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj, Tau lavdia e Tij qëndron për amshim. PSALMI 112 /111/ Lumturia e njeriut të drejtë 1 ALELUJA! Alef Lum ai njeri që e druan Zotin, Bet që kënaqet në urdhërimet e tija. Gimel 2 Fara e tij do të jetë e fortë mbi tokë, Dalet do të bekohet breznia e të drejtëve. He 3 Pasuri e mirëqenie në shtëpinë e tij, Vau drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve. Zain 4 Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë: Het i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë. Tet 5 I ëmbël është njeriu që mishëron e huazon, Jod punët e veta i kryen me ndërgjegje, Kaf 6 ai askurrë nuk do të bjerë poshtë. Lamed Në kujtim të përhershëm mbetet i drejti, Mem 7 nuk i trembet lajmit të keq. Nun E patrandshme është zemra e tij me shpresë në Zotin, Samek 8 të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet Ain armiqtë e vet i bën asgjë. Fe 9 Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; Sade drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, Kof balli i tij ngallit për nder. Res 10 E sheh keqbërësi dhe hidhërohet, Sin me dhëmbë kërcëllon e vyshket. Tau Dëshira e mëkatarëve shkon huq. PSALMI 113 /112/ Hyjit të lavdishëm e të mëshirshëm 1 ALELUJA! Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, lavdërojeni, Emrin e Zotit! 2 Qoftë bekuar Emri i Zotit që tani e deri në amshim, 3 Që kur lind dielli e derisa perëndon qoftë bekuar Emri i Zotit! 4 I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, lavdia e tij i tejkalon qiejt. 5 Kush është si Zoti, Hyji ynë, që fronin e ka në Lartësi, 6 e nga lart vrojton qiellin e tokën? 7 Nga pluhuri e ngre skamnorin, nga llomi e lartëson të vobektin 8 për ta vënë të rrijë me princa, me princat e popullit të vet. 9 Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet nënë fëmijësh të gëzueshme. PSALMI 114 /113 A/ Himn Pashkësh 1 ALELUJA! Kur Izraeli doli nga Egjipti, Shtëpia e Jakobit nga populli barbar, 2 Judeja u bë Shenjtërorja e tij, Izraeli zotërimi i tij. 3 Pa deti dhe i bëri rrugë, Jordani u kthye prapazi, 4 malet kërcyen si desh, kodrat porsi qengja delesh! 5 Ç’ pate, o det, që ike? E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi? 6 Ju, o male, pse kërcyet si desh, e ju, o kodra, porsi qengja delesh? 7 Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, para fytyrës së Hyjit të Jakobit, 8 që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash edhe qetën në burim uji të gjallë! PSALMI 115 /114 B/ I vetmi Hyji i vërtetë 1 Jo neve, o Zot, jo neve, por Emrit tënd jepi lavdi për nder të mëshirës sate e të besnikërisë sate. 2 Pse të thonë paganët: “Ku është Hyji i tyre”? 3 Hyji ynë është në qiell, ai bën gjithçka i pëlqen. 4 Idhujt e paganëve janë argjend e ar - prodhim i dorës së njeriut. 5 Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin, 6 veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhasin. 7 Duar kanë e nuk prekin, këmbë kanë e nuk ecin, - zë nuk qesin prej gurmazit të tyre! 8 Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, të gjithë ata që shpresojnë në ta! 9 Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin: Ai është ndihma dhe mburoja e tyre. 10 Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin: Ai është ndihma dhe mburoja e tyre! 11 Kush e druan Zotin në Zotin shpreson: Ai është ndihma e mburoja e tij! 12 Zotit i bie ndër mend për ne e do të na bekojë: do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, do ta bekojë shtëpinë e Aronit; 13 do t’i bekojë të gjithë ata që e druajnë Zotin, si të vegjëlit ashtu të mëdhenjtë. 14 Bëftë Zoti e u shumofshi ju vetë e fëmijët tuaj! 15 Ju bekoftë Zoti, Krijuesi i qiellit e i tokës! 16 Qielli është qielli i Zotit, kurse tokën ua dhuroi njerëzve. 17 Jo, nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë, o Zot, dhe asnjë prej atyre që zbresin në Heshtim, 18 por ne që jetojmë, ne e bekojmë Zotin tani e përgjithmonë e jetës. PSALMI 116 /114, 1-9; 115/ Falenderim 1 ALELUJA! E dua Zotin sepse e dëgjon zërin e lutjes sime, 2 sepse mbi mua e priri veshin e vet atë ditë që e thirra në ndihmë. 3 Më kishin rrethuar leqet e vdekjes, më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës, më ndrydhën trishtime e dhembje, 4 Emrin e Zotit e thirra në ndihmë: “Deh, o Zot, ma shpëto jetën”! 5 I mirë e i drejtë është Zoti, Hyji ynë është vetë mirësia! 6 Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve: isha ngushtë e Ai më shpëtoi! 7 Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde, sepse Zoti është bamirësi yt! 8 Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, sytë e mi prej lotëve, këmbët e mia prej rënies. 9 Do të eci në praninë e Zotit në tokën e të gjallëve. 10 Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: “Jam i pafat për së tepërmi!”. 11 Në hutimin tim kam thënë: “Rrenacak është çdo njeri”! 12 Si do t’ia shpërblej Zotit për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë? 13 Do të ngre gotën e shëlbimit e me nderim do të thërras Emrin e Zotit. 14 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit në praninë e mbarë popullit të tij. 15 E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij. 16 O Zot, unë jam shërbëtori yt, shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. Ti i këpute hekurat e mia: 17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, me nderim do të thërras Emrin e Zotit. 18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit në praninë e mbarë popullit të tij, 19 në oborret e Shtëpisë së Zotit, mes teje, o Jerusalem! PSALMI 117 /116/ Grishje për të lavdëruar Zotin 1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë! 2 Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, besnikëria e Zotit qëndron për amshim! PSALMI 118 /117/ Liturgjia për të kremten e Tanave 1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij! 2 Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria e tij! 3 Le të thotë tani shtëpia e Aronit, e amshuar është dashuria e tij! 4 Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, e amshuar është dashuria e tij! 5 Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi. 6 Zoti është me mua, s’druaj se ka ç’më bën njeriu. 7 Me mua është Zoti, ndihmëtari im, për asgjë i bëj armiqtë e mi. 8 Më mirë është të strehohesh te Zoti se të kesh besim në njerëz. 9 Më mirë është të strehohesh te Zoti, se të kesh besim në princa. 10 Më rrethuan të gjithë paganët, i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit. 11 Rreth e përqark më rrethuan, por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit. 12 Më rrethuan porsi bletët, porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit. 13 Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, por më ndihmoi ndihma e Zotit. 14 Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, ai është shpëtimtari im. 15 Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi në tendat e të drejtëve: 16 “E djathta e Zotit u madhërua! E djathta e Zotit më lartësoi! E djathta e Zotit u madhërua”! 17 S’do të vdes, të jetoj dua, do t’i kumtoj veprat e Zotit! 18 Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, por nuk më lëshoi në duar të vdekjes. 19 M’i hapni dyert e drejtësisë, dua të hyj e t’i thur lavde Zotit. 20 Ja, këtu është dera e Zotit; nëpër të do të hyjnë të drejtët. 21 Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, dhe u bëre Shpëtimtari im. 22 Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit; 23 Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! 24 Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të galdojmë e të gëzojmë në të! 25 Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, deh, o Zot, jepe të mbarën! 26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. 27 Hyji është Zot, ai na ndriçoi: rendituni të gëzuar në reshtin kremtor me rrema në dorë deri në ballë të lterit! 28 Ti je Hyji im, ty të falënderoj, Ti je Hyji im, unë të madhëroj! 29 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij! PSALMI 119 /118/ Lavdi Ligjit të Hyjit 1 ALELUJA! Alef Lum njeriu me sjellje të pastër, që ecën në Ligjin e Zotit! 2 Lum kush i mban dëshmitë e tija, që e kërkon me gjithë zemër. 3 Sepse ai nuk vepron keq, por ecën udhëve të tija. 4 Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikërisht. 5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua! 6 Atëherë s’do të skuqem nëse do t’i mbaj urdhërimet e tua. 7 Do të të lavdëroj në pastërtinë e zemrës, i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate. 8 Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua, por ti askurrë mos hiq dorë prej meje! Bet 9 Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet? Duke i zbatuar fjalët e tua. 10 Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim: mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua. 11 Fjalët e tua i fsheha në zemrën time, që të mos gaboj kundër teje. 12 I bekuar je, o Zot, ma mëso vullnetin tënd. 13 Me buzët e mia i shpall një nga një të gjitha qjyqet e gojës sate. 14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua se pasurisë tejet të madhe. 15 Do të ushtrohem në urdhërimet e tua, do t’i kujtoj udhët e tua. 16 Do të kënaqem në rregulloret e tua, s’do ta harroj fjalën tënde. Gimel 17 Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd: që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde. 18 M’i hap sytë të shikoj mrekullitë e ligjit tënd. 19 Ravgues jam unë përmbi dhe, mos i fsheh para meje urdhërimet e tua. 20 Shpirti im meket gjithherë prej dëshirës së qjyqeve të tua. 21 Ti u kërcënohesh krenarëve: të mallkuar janë ata që u shmangen urdhërimeve të tua. 22 Më liro nga poshtërimi e turpi, sepse i ruaj dëshmitë e tua. 23 Nëse edhe princat bëjnë mbledhje e flasin kundër meje, shërbëtori yt ushtrohet në rregulloret e tua. 24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime, rregulloret e tua këshilltarët e mi. Dalet 25 Shpirti im hiqet zvarrë nëpër pluhur: më përtërij sipas zotimit që më dhe. 26 I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove: m’i mëso rregulloret e tua. 27 Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua e do t’i kujtoj mrekullitë e tua. 28 Prej trishtimit shpirti im qan me lot, më forco shpirtërisht sipas premtimit që më dhe. 29 Më mbaj larg nga udha e gënjeshtrës, më pajis me Ligjin tënd. 30 E kam zgjedhur udhën e së vërtetës, në zemër i kam urdhërimet e tua. 31 Jam lidhur pas vendimeve të tua, o Zot, mos lejo të turpërohem. 32 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, sepse ti ma ke shndritur zemrën. He 33 Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua, dhe unë do ta mbaj gjithmonë. 34 Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd e do ta zbatoj me gjithë zemrën time. 35 Më prij udhës së urdhërimeve të tua, sepse në të e kam kënaqësinë time. 36 Prire zemrën time drejt urdhërimeve të tua e jo drejt lakmimit të pasurisë. 37 Largoji sytë e mi të mos e shohin kotësinë, më përtërij në udhën tënde. 38 Plotësoja shërbëtorit tënd premtimin tënd që ua dhe atyre që të druajnë. 39 Më shpëto nga çnderimi që aq fort i trembem, sepse gjyqet e tua janë të mrekullueshme. 40 Oh, sa fort i dua urdhërimet e tua, më përtërij në drejtësinë tënde! Vau 41 Ma jep, o Zot, mëshirën tënde, shëlbimin tënd sikurse m’u zotove. 42 Do t’u përgjigjem atyre që më poshtërojnë se shpresoj në fjalën tënde. 43 Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës, sepse kam besim në gjyqet e tua. 44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë, në shekuj e në jetë të jetës. 45 Do të eci udhës së gjerë, sepse i kërkoj urdhërimet e tua. 46 Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e nuk do të më vijë turp. 47 Do të kënaqem në urdhërimet e tua, që aq shumë i kam për zemër. 48 I lartësoj duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua, e do t’i bluaj në mendje rregulloret e tua. Zain 49 Të të bjerë ndër mend zotimi që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilin më ke dhënë shpresë. 50 Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim sepse fjala jote ma përtëriti jetën. 51 Krenarët po më përqeshin së tëpërmi, por unë nuk i shmangem Ligjit tënd. 52 I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta dhe në to gjej ngushëllim. 53 Unë zemërohem tepër në mëkatarë që i shmangen Ligjit tënd. 54 Këngë janë për mua urdhërimet e tua, në dheun e shtegtimit tim. 55 Natën e kujtoj, o Zot, Emrin tënd, dhe e zbatoj Ligjin tënd. 56 E mua më ndodh kështu, sepse i mbaj urdhërimet e tua. Het 57 Zoti është pjesa e trashëgimit tim: e dhashë fjalën t’i mbaj urdhërimet e tua. 58 T’u përluta me gjithë fuqi të zemrës: ki dhimbje për mua sipas fjalës që më dhe. 59 I shqyrtova hollë udhët e mia dhe i ktheva hapat e mi në urdhërime të tua. 60 Nxitova e nuk vonova për t’i zbatuar urdhërimet e tua. 61 Më rrethuan leqet e të patenzonëve, nuk e harrova Ligjin tënd. 62 Në mesnatë ngrihem për të të thurur lavdi për shkak të vendimeve të tua të drejta. 63 Jam mik me të gjithë ata që të druajnë, me ata që i zbatojnë urdhërimet e tua. 64 Plot është toka, o Zot, me dashurinë tënde, m’i mëso rregulloret e tua. Tet 65 I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd ashtu si ia dhe fjalën. 66 Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen, sepse u besoj urdhërimeve të tua. 67 Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje, por tani unë e mbaj fjalën tënde. 68 Ti je i mirë e bën mirë, ma mëso vullnetin tënd. 69 Krenarët përbluajnë kundër meje tradhti, por unë me gjithë zemër do t’i mbaj urdhërimet e tua. 70 U trash zemra e tyre si dhjami, ndërsa unë kënaqem në Ligjin tënd. 71 Është mirë për mua që vuajta, kështu do ta mësoj vullnetin tënd. 72 Më i mirë është për mua Ligji yt se me mijëra ar e argjend. Jod 73 Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë, më jep kuptim t’i mësoj urdhërimet e tua. 74 Kur më shohin ata që ty të druajnë, gëzohen, sepse shpresova në fjalën tënde. 75 E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta, me plot të drejtë më përule. 76 Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd. 77 Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj, sepse Ligji yt është kënaqësia ime. 78 Le të turpërohen krenarët pse dijekeqas më poshtërojnë, e unë do t’i kujtoj urdhërimet e tua. 79 Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë, ata që i njohin dëshmitë e tua. 80 U përsostë zemra ime në rregulloret e tua, që kurrë të mos trupërohem. Kaf 81 Po më shkrihet shpirti në pritje të shëlbimit tënd, kam besim të plotë në premtimin tënd. 82 Sytë po më shteren prej dëshirës së fjalës sate e them: “Kur do të ma japësh ngushëllimin?” 83 U bëra si rrësheku në tym, por nuk i harrova rregulloret e tua. 84 Po edhe sa ditë do të rrojë shërbëtori yt? Kur do t’i gjykosh përndjekësit e mi? 85 Më hapën gropa krenarët që s’jetojnë sipas Ligjit tënd. 86 Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta; dijekeqas më kanë salvuar: deh, më eja në ndihmë! 87 Për pak sa s’më rrëzuan përdhe, megjithatë unë nuk u shmangem urdhërimeve të tua. 88 Më përtërij pashë dashurinë tënde e unë do t’i ruaj dëshmitë e gojës sate. Lamed 89 E amshueshme është, o Zot, fjala jote, e qëndrueshme porsi qielli. 90 Brez pas brezi e vërteta jote; e themelove tokën dhe ajo qëndron. 91 Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd. 92 Po të mos ishte Ligji yt kënaqësia ime, do të kisha mbaruar në mjerimin tim. 93 Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua, në saje të tyre ti më mban në jetë. 94 Yti jam: deh, ti më shpëto, sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua. 95 Të mbrapshtët mundohen të më humbasin; por unë i kujtoj porositë e tua. 96 Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin: por Ligji yt kufi nuk ka. Mem 97 Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd: gjithë ditën e bluaj me mend! 98 Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi, sepse gjithmonë është me mua. 99 Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi, sepse i kujtoj urdhërimet e tua. 100 Më i dijshëm jam edhe se pleqtë, sepse i mbaj urdhërimet e tua. 101 Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes për t’i ruajtur urdhërimet e tua. 102 Nuk u shmangem gjyqeve të tua, sepse ti ma dhe Ligjin. 103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua, më të ëmbla se mjalti për gojën time. 104 Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë, prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre. Nun 105 Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia. 106 U përbetova dhe do ta mbaj fjalën: do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate. 107 Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot, ma përtërit jetën sipas premtimit tënd. 108 Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime dhe m’i mëso gjyqet e tua. 109 Jeta ime është gjithmonë në rrezik, por nuk e harroj Ligjin tënd. 110 Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje, por nuk iu shmanga porosive të tua. 111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm, janë kënaqësia e shpirtit tim. 112 E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua përherë e deri në fund. Samek 113 I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe dhe e dua Ligjin tënd. 114 Përkrenarja dhe shqyti im je ti, kam besim të plotë në fjalën tënde. 115 M’u hiqni sysh, o keqbërës, se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim! 116 Më përkrah si më premtove e do të jetoj dhe mos më tradhtoftë shpresa ime. 117 Më përkrah e do të shpëtoj, do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua. 118 Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua, sepse mendimi i tyre është gënjeshtër. 119 Porsi ndryshkun ti i zhduk nga faqja e dheut keqbërësit, prandaj unë i dua dëshmitë e tua. 120 Trupi im më dridhet prej frikës sate, sepse i kam frikë gjyqet e tua. Ain 121 Veprova me drejtësi e me të drejtë, mos më dorëzo te shpifësit e mi. 122 Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd, që të mos më shpifen krenarët. 123 Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd dhe të fjalës së drejtësisë sate. 124 Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate dhe m’i mëso rregulloret e tua. 125 Unë jam shërbëtori yt, më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua. 126 Koha është të dëftohesh, o Zot, se e prishën Ligjin tënd. 127 Oh, sa i dua urdhërimet e tua: më tepër se arin, se gurin e paçmueshëm. 128 Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha, e urrej çdo udhë gënjeshtre. Fe 129 Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua, prandaj i mban shpirti im. 130 Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon: të miturit i bën të urtë. 131 Hap gojën e marr frymë i mallëngjyer për porositë e tua. 132 Kthehu prej meje e ki mëshirë për mua ti që je i drejtë për ata që e duan Emrin tënd. 133 Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate, të mos më sundojë asnjë e keqe. 134 Më shpëto prej shpifjeve të njerëzve, që t’i ruaj urdhërimet e tua. 135 Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd dhe m’i mëso urdhërimet e tua. 136 Sytë e mi derdhën rrëke lotësh, sepse nuk mbahet Ligji yt. Sade 137 I drejtë je, o Zot, edhe gjyqet e tua janë të drejta. 138 Ti e ke dhënë Ligjin tënd të drejtë dhe shumë besnik. 139 Zelli im po më shkrin kur shoh se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. 140 Fjalët e tua janë me zjarr të sprovuara, prandaj shërbëtori yt i do ato. 141 Jam i ri edhe i përbuzur, por nuk i kam harruar urdhërimet e tua. 142 Drejtësia jote, drejtësi e përhershme, Ligji yt është i vërtetë. 143 Vuajta shumë dhe pata vështirësi, urdhërimet e tua janë kënaqësia ime. 144 Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshueshme, më bëj të kuptoj e do të kem jetë. Kof 145 Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua. 146 Klitha drejt teje, deh më shpëto, që t’i ruaj dëshmitë e tua. 147 Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. 148 Sytë e mi zgjohen para rojës së natës për të përsiatur fjalët e tua. 149 Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd. 150 U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, janë larg nga Ligji yt. 151 Por ti, o Zot, je afër, besnike janë të gjitha urdhërimet e tua. 152 Që moti di për urdhërimet e tua, se i themelove për amshim. Res 153 Shikoje mjerimin tim e më liro, se nuk e kam harruar Ligjin tënd. 154 Mbroje çështjen time e më shpaguaj, për hir të Ligjit tënd më përtërit në jetë. 155 Larg është prej mëkatarëve shëlbimi, sepse nuk e çajnë kokën për urdhërimet e tua. 156 Mëshira jote është e madhe, o Zot, në fuqi të gjyqeve të tua më përtërit në jetë. 157 Shumë janë ata që më salvojnë e më poshtërojnë, por unë nuk iu shmanga dëshmive të tua. 158 I pashë ata që e lanë rrugën e m’u velën, sepse nuk i mbajnë fjalët e tua. 159 Shiko, o Zot, se i dua urdhërimet e tua, më kërthndez në jetë sipas dashurisë sate. 160 Për parim fjalët e tua kanë të vërtetën, të gjitha gjyqet e drejtësisë sate janë për amshim. Sin 161 Të mëdhenjtë më salvojnë pa arsye, zemra ime trembet vetëm prej fjalëve të tua. 162 Unë u gëzohem fjalëve të tua porsi ai që fiton pre të madhe. 163 E urrej gënjeshtrën dhe më velet, kurse Ligjin tënd e kam për zemër. 164 Shtatë herë në ditë ty të thur lavde për gjyqet e drejtësisë sate. 165 Dashamirësit e Ligjit tënd gëzojnë paqe të madhe, ata askurrë nuk marrin në thua. 166 Ndihmën tënde, o Zot, e pres dhe i mbaj urdhërimet e tua. 167 Shpirti im i ruan ligjet e tua dhe i desha ato me gjithë shpirt. 168 I mbaj ligjet e tua e dëshminë tënde, sepse të gjitha udhët e mia janë para syve të tu. Tau 169 Le të arrijë tek ti, o Zot, britma ime, ma ndriço mendjen sipas fjalës sate. 170 Le të dalë lutja ime para fytyrës sate, më liro ashtu si ma ke dhënë fjalën. 171 Buzët e mia do ta këndojnë këngën e lavdit sepse ti m’i mësove rregulloret e tua. 172 Gjuha ime le ta këndojë fjalën tënde, sepse të gjitha urdhërimet e tua janë të drejta. 173 E paça në ndihmë të djathtën tënde, sepse i zgjodha urdhërimet e tua. 174 E dëshiroj shumë, o Zot, shëlbimin tënd, kënaqësia ime është Ligji yt. 175 Do të jetojë shpirti im dhe do të të lavdërojë, në ndihmë do t’i kem gjyqet e tua. 176 U enda poshtë e lart porsi delja e humbur, kërkoje shërbëtorin tënd sepse urdhërimet e tua nuk i kam harruar. PSALMI 120 /119/ Armiqtë e paqes 1 Këngë shtegtimi. Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin dhe ai më dëgjoi. 2 Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, prej gjuhës qëllimisht gënjyese. 3 Vallë, ç’duhet të të jepet ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese? 4 Shigjeta luftëtari të mprehta, të skuqura me gaca pishash! 5 I mjeri unë që rri në Mosok dhe banoj në tendat e Cedarit! 6 Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta që e urrejnë paqen! 7 Unë jam për paqe, por kur flas, ata kërkojnë luftë. PSALMI 121 /120/ Rojësi i Izraelit 1 Këngë shtegtimi. Sytë e mi i çoj drejt maleve: prej nga do të më vijë mua ndihma? 2 Ndihma ime vjen prej Zotit, i cili krijoi qiellin e tokën. 3 S’do të lejojë të të merren këmbët, nuk do të kotet ai që të ruan. 4 Ja, s’do të kotet as s’do të flejë, ai që e ruan Izraelin. 5 Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote, Zoti është në të djathtën tënde! 6 Dielli nuk do të të bëjë keq ditën, as hëna natën. 7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe, Zoti do ta ruajë jetën tënde. Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua që tani e përgjithmonë e jetës. PSALMI 122 /121/ Përshëndetje Jerusalemit 1 Këngë shtegtimi. E Davidit. Seç u gëzova kur më thanë: “Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!” 2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën në dyert e tua, o Jerusalem! 3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, thuaj se i tëri një cope e vetme je! 4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, sipas rregullores në Izrael për të kremtuar Emrin e Zotit. 5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, selitë e shtëpisë së Davidit! 6 Lutuni për paqen e Izraelit: “U priftë e mbara atyre që të duan ty! 7 Mbretëroftë paqja në muret e tua dhe qetësia në pirgjet e tua!” 8 Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi do të them: “Paqja me ty”! 9 Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë, do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat! PSALMI 123 /122/ Lutja e njeriut të pafat 1 Këngë shtegtimi. E Davidit. Drejt teje po i lartësoj sytë, e mi, drejt teje që banon në qiell. 2 Ja, porsi sytë e shërbëtorëve drejt dorës së zotërinjve të vet, porsi sytë e shërbëtores drejt duarve të zonjës së vet, ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, derisa të ketë mëshirë për ne. 3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse për së tepërmi na kanë mbuluar me përbuzje. 4 Sepse u ngi së tepërmi shpirti ynë me përqeshje të të ngopurve, me përbuzje të krenarëve. PSALMI 124 /123/ Shpëtimtari i Izraelit 1 Këngë shtegtimi. E Davidit. Po të mos kishte qenë Zoti me ne - le ta pohojë ballafaqe Izraeli 2 po të mos kishte qenë Zoti me ne, kur njerëzit u ngritën kundër nesh: 3 atëherë do të na kishin përpirë gjallë, kur u mori flakë zemërimi kundër nesh. 4 Atëherë ujët do të na kishte marrë, rrjedha e përroit do të na kishte marrë, 5 do të na kishin mbytur valët e ujërave të tërbuara! 6 Qoftë bekuar Zoti që s’na dha kafshatë për dhëmbët e tyre! 7 Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku prej gracke të gjuetarëve: laku u këput e ne shpëtuam! 8 Ndihma jonë është në Emër të Zotit, që krijoi qiellin e tokën. PSALMI 125 /124/ Hyji i mbron të vetët 1 Këngë shtegtimi. Kush shpreson në Zotin është si mali Sion: s’ka gjë që e tund, mbetet për amshim! 2 Malet e rrethojnë Jerusalemin: edhe Zoti rreth e rreth i rri popullit të vet që tani e për amshim. 3 Askurrë s’do të sundojë skeptri i të pafeve mbi trashëgimin e të drejtëve që të drejtët të mos i shtrijnë duart në paudhësi. 4 Bëju mirë, o Zot, njerëzve të mirë edhe atyre që e kanë zemrën të drejtë. 5 Kurse ata që shkojnë udhëve të ligësisë le t’i zhdukë Zoti bashkë me keqbërësit. Paqja qoftë mbi Izraelin! PSALMI 126 /125/ Këngë riatdhesimi 1 Këngë shtegtimi. Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr. 2 Atëherë goja na u mbush me gaz e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit! Asohere thuhej ndër paganë: “Zoti bëri për ta punë të mëdha”! 3 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli e zemrat na u mbushën me gëzim! 4 Ktheji, o Zot, robërit tanë porsi përrenjtë e mesditës! 5 Ata që mbjellin me lot, deh, le të korrin me gëzim! 6 Në të shkuar ecnin e qanin duke mbartur farën për ta mbjellë, kurse në kthim do të vijnë plot gëzim duke mbartur dorëzat e veta. PSALMI 127 /126/ Dorëzimi provanisë 1 Këngë shtegtimi. E Salomonit. Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë. Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, kot rri zgjuar ai që e ruan. 2 Kot e keni të çoheni para drite dhe vonë të shkoni në pushim, ju që e hani bukën e mundit: të dashurve të vet u jep edhe në gjumë. 3 Ja: bijtë janë dhuratë e Zotit, fryti i barkut është shpërblimi i tij. 4 Porsi shigjetat në dorën e trimit të tillë janë djemtë e rinisë. 5 Lum ai burrë që e mbushi kukurrën me të tillë: s’do të turpërohet kur të fjaloset me armiq në log. PSALMI 128 /127/ Bekimi - dhuratë për besimtarin 1 Këngë shtegtimi. Lum njeriu që e druan Zotin, që ecën udhëve të tija! 2 Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh! 3 Gruaja jote: vresht plot fruta në dhomat e shtëpisë sate; djemtë e tu: pinjoj ulliri përreth tryezës sate! 4 Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! 5 Të bekoftë Zoti prej Sionit e pafsh lumturinë e Jerusalemit në të gjitha ditët e jetës sate 6 dhe i pafsh djemtë e djemve të tu! Paqja qoftë mbi Izraelin! PSALMI 129 /128/ Kundër armiqve të Sionit 1 Këngë shtegtimi. Shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime - le të thotë tashti Izraeli 2 shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime, por s’ia dolën dot kundër meje! 3 Mbi shpinën time lëvruan lavërtarët, bënë hulli të gjata! 4 Por Zoti i drejtë i këputi leqet e mëkatarëve. 5 U turpërofshin dhe u zmbrapsshin të gjithë ata që e urrejnë Sionin. 6 Bar pullazesh u bëfshin që thahet para se të nxirret, 7 me të cilin s’e mbush dorën ai që korr, as sqetullën ai që mbledh duajt, 8 e ata që kalojnë përbri nuk thonë: “Bekimi i Zotit qoftë mbi ju! Ju bekojmë në Emër të Zotit”! PSALMI 130 /129/ Shpresa në Zotin 1 Këngë shtegtimi. Prej humnerës klitha tek ti, o Zot, 2 o Zot, dëgjoje britmën time! Le ta dëgjojnë veshët e tu, zërin e lutjes sime. 3 Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, O Zot, e kush do të qëndrojë para teje? 4 Por tek ti gjendet falja që të dimë të të druajmë. 5 Shpresoj në ty, o Zot, shpirti im shpreson në premtimin e tij. E pret 6 shpirti im Zotin më tepër se rojtarët agimin. Më tepër se rojtarët agimin 7 le të shpresojë Izraeli në Zotin, sepse te Zoti është mëshira dhe i madh është tek Ai shpërblimi. 8 Ai do ta nxjerrë Izraelin prej të gjitha paudhësive të tija. PSALMI 131 /130/ Shpirti i fëmijërisë 1 Këngë shtegtimi. E Davidit. O Zot, nuk krenohet zemra ime as s’madhështohen sytë e mi, as nuk jepem pas punëve të mëdha, as pas gjërave që janë mbi fuqi të mia. 2 Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, si kërthi është shpirti im në mua. 3 Le të shpresojë Izraeli në Zotin tani e për gjithmonë e jetës. PSALMI 132 /131/ Në përvjetorin e kalimit të Arkës së Besëlidhjes 1 Këngë shtegtimi. Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi e gjithë mirësia e tij, 2 si iu përbetua Zotit, si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit: 3 “Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim, 4 nuk do t’u jap gjumë syve të mi, s’do t’i lë të koten qepallat e mia, 5 pa e pasë gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.” 6 Ja, dëgjuam se është në Efratë, e kemi gjetur në Fushat e Jaarit! 7 Le të hyjmë në tendën e tij, të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija! 8 Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, ti dhe arka e Pushtetit tënd! 9 Priftërinjtë e tu le të veshen me drejtësi, shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim. 10 Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd! 11 Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë: “Bamin e kraharorit tënd do ta vë mbi fronin tënd! 12 Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj, po edhe bijtë e tyre përgjithmonë do të rrinë përmbi fronin tënd”. 13 Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, e pëlqeu për banesë të veten: 14 “Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, këtu do të banoj sepse vetë e dëshirova. 15 Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija, skamnorët e tij do t’i ngij me bukë. 16 Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim. 17 Atje do të bëj t’i lulëzojë Pinjolli Davidit, do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim. 18 Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!” PSALMI 133 /132/ Jeta vëllazërore 1 Këngë shtegtimi. E Davidit. Oh, sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë së bashku: 2 si vaji ai më i miri në kokë, që zbret në mjekër, në mjekrën e Aronit, që zbret kindeve të petkave të tija, 3 porsi vesa në Hermon, që bie në malet e Sionit. Sepse atje Zoti e jep bekimin, jetën e amshueshme. PSALMI 134 /133/ Lavdi për liturgji nate 1 Këngë shtegtimi. Tani bekojeni Zotin të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit, që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit. 2 Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores e bekojeni Zotin! 3 Prej Sionit të bekoftë Zoti që krijoi qiellin e tokën! PSALMI 135 /134/ Himn lavdie 1 ALELUJA! Lëvdojeni Emrin e Zotit, lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit, 2 që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë! 3 Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël! 4 Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, Izraelin për pronën e vet. 5 Unë e di mirë se i madh është Zoti, Hyji ynë është mbi të gjithë hyjtë. 6 Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, në det e në të gjitha humnerat. 7 Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, me vetëtima e prodhon shiun, erën e nxjerr nga vendet e strehimit. 8 Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive. 9 Bëri shenja e mrekulli mes teje, o Egjipt, kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij. 10 Shfarosi një numër të madh paganësh, vrau sa mbretër të fortë: 11 Sehonin, mbretin e amorrenjve e Ogun, mbretin e Basanit, i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit, 12 e tokën, pronën e tyre, ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim. 13 O Zot, Emri yt është i madhërueshëm, kujtimi yt, o Zot, prej breznie në brezni! 14 Zoti e mbron popullin e vet, ka mëshirë për shërbëtorët e vet. 15 Idhujt e paganëve janë ar e argjend, prodhim i duarve të njerëzve: 16 e kanë gojën, por nuk flasin, i kanë sytë, por nuk shohin, 17 i kanë veshët, por s’dëgjojnë, as nuk kanë frymë në gojën e tyre. 18 Porsi ata do të jenë edhe ata që i punuan, të gjithë ata që shpresojnë në ta. 19 Shtëpia e Izraelit, bekoje Zotin, shtëpia e Aronit, bekoje Zotin, 20 shtëpia e Levit, bekoje Zotin, bekojeni Zotin të gjithë ju, që e druani Zotin! 21 Nga Sioni qoftë bekuar Zoti që banon në Jerusalem. Aleluja. PSALMI 136 /135/ Litani të mëdha falënderimi 1 ALELUJA! Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 2 Lavdëroni Hyjin e hyjnive, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 3 Lavdëroni Zotin e zotave, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 4 Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 5 Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 6 Ai e forcoi tokën mbi ujëra, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 7 Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 8 Diellin që ta sundojë ditën, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 9 Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 10 Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 11 Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 12 Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 13 Ai e ndau dysh Detin e Kuq, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 14 E kaloi Izraelin mes për mes tij, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 15 E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 16 E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 17 Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 18 Vrau mbretër të fuqishëm, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 19 Sehonin, mbretin e amorrenjve, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 20 Edhe Ogun, mbretin e Basanit, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 21 Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 22 për trashëgim Izraelit, popullit të vet, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 23 Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 24 Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 25 Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, sepse e amshueshme është dashuria e tij! 26 Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, sepse e amshueshme është dashuria e tij! PSALMI 137 /136/ Baladë mërgimi 1 Mbi lumenj të Babilonit, atje rrinim e lotonim e nëpër mend shkonim Sionin. 2 Në shelgje, në mes të tij, qestet tona në degë i varëm. 3 Shih atje shpërngulësit tanë t’u këndojmë prej nesh kërkuan, të gëzohemi shtypësit urdhëronin: “Na i këndoni këngët e Sionit!” 4 Po si mundim t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj? 5 Oh, m’u thaftë-o krahu mua, Jerusalem për në të harrofsha, 6 për qellzë gjuha m’u kaptë mua, të të kujtoj ty nëse unë pushofsha, në mos e vënça Jerusalemin mbi të gjitha gëzimet e mia! 7 Mbajua mend, Zot, edomitëve që në ditë të zezë të Jerusalemit: “Rrënojeni - të pashpirtët thoshin rrënojeni gjer në themele!” 8 Bijë shkatërruese e Babilonit, i lumi ai që ty të hakmerret për të këqijat që na i bëre; i lumi ai që foshnjat tua i kap e i përplas për shkëmbi! PSALMI 138 /137/ Himn falënderimi 1 I Davidit. Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, sepse i dëgjove fjalët e gojës sime. Të këndoj në praninë e engjëjve, 2 adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë. E lavdëroj Emrin tënd për dashurinë e besnikërinë tënde, sepse e madhërove tesve premtimin tënd. 3 Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove, shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë. 4 Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate. 5 Do t’i këndojnë udhët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit; 6 sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvuajturit e prej së largu i dallon krenarët. 7 Kur të më duhet të eci në mes të vështirësive, ti ma ruaj jetën, shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi e më shpëto me të djathtën tënde. 8 Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua. E amshueshme është, o Zot, mirësia jote: mos e përbuz veprën e duarve të tua! PSALMI 139 /138/ Lavdi të Gjithëdijshmit 1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. O Zot, ti më shqyrton e më njeh, 2 ti di kur rri e kur ngrihem, prej së largu i njeh mendimet e mia. 3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren, ti i di të gjitha udhët e mia. 4 Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës, dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha! 5 Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon, ti e ke vënë mbi mua dorën tënde. 6 E mrekullueshme është dija jote për mua, tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij. 7 Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd, ku të iki larg prej pranisë sate? 8 Nëse ngjitem në qiell, ti atje je, nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je. 9 Po t’i marr krahët e agimit e të shkoj të banoj në skajin e detit, 10 edhe atje dora jote do të më përcjellë e do të më mbajë e djathta jote. 11 Në thënça: “Le të më mbulojë së paku errësira edhe drita natë le të bëhet mbi mua!”, 12 por as terri s’është aspak terr për ty edhe nata është si dritë e ndritshme - për ty errësira është porsi drita! 13 Ti je ai që m’i krijove veshkat, ti më ke endur në kraharorin e nënës! 14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht, të mrekullueshme janë veprat e tua, po, shpirti im mirë e di! 15 Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur kur unë po trajtohesha në fshehtësi i endur në thellësinë e tokës. 16 Ende të patrajtuar më panë sytë e tu, në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët: ishin të numëruara megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre. 17 Tepër të çmueshme janë për mua, o Hyj, mendimet e tua, e panumërueshme është shuma e tyre! 18 Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra! Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti! 19 Oh! Sikur Hyji t’i zhdukte mëkatarët! Largohuni prej meje, o njerëz gjakatarë! 20 Ata flasin kundër teje me dredhi: më kot e lartësojnë veten kundër teje. 21 A të mos i urrej, o Zot, ata që të urrejnë ty? A të mos t’i përbuz ata që ngrihen kundër teje? 22 Unë i urrej me urrejtje të madhe dhe i mbaj për armiq të mi. 23 Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time, më sprovo e njihi shtigjet e mia 24 e shiko në mos ka në mua udhë kotësie dhe më kthe në udhën e amshueshme. PSALMI 140 /139/ Kundër mëkatarëve 1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Më shpëto, o Zot, prej njeriut të keq, më mbro prej njeriut të dhunshëm. 3 Prej atyre që mendojnë të këqija në zemër, që gjithë ditën trillojnë luftëra. 4 Porsi gjarpri e mprehin gjuhën e vet: nën buzë e kanë vrerin e nëpërkës. 5 Më ruaj, o Zot, prej kthetrave të mëkatarit, më mbro prej njeriut të dhunshëm, sepse mendojnë të ma vënë nënkëmbëzën. 6 Krenarët ma fshehën grackën me litar ma përgatitin rrjetën, gjatë udhës m’i ngrehin kurthet. 7 I thashë Zotit: “Ti je Hyji im, dëgjoje, o Zot, britmën e lutjes sime. 8 O Zot, o Zot, fuqia e shëlbimit tim, ma mbrojte kokën ditën e përleshjes”. 9 Mos lejo të shkojnë në vend dëshirat e keqbërësit, mos premto t’i çojë në vend synimet e veta. 10 Çojnë kokë ata që më rrethojnë: rëntë mbi ta e keqja e buzëve të tyre! 11 Mbi ta rënçin gacat e zjarrit, i plandossh në gropë e mos dalshin! 12 Jetë mos pastë mbi dhe njeriu shpifës, e i dhunshmi u shoftë mbi faqe të dheut. 13 E di se Zoti e mbron çështjen e të mjerit dhe ia jep të drejtën të vobektit. 14 Po të drejtët do të lavdërojnë Emrin tënd, shenjtërit do të jetojnë në praninë tënde. 2 PSALMI 141 /140/ Kundër tërheqjes së të keqes 1 Psalm. I Davidit. O Zot, klitha drejt teje, eja me shpejtsi tek unë! Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje! 2 U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, lartësimi i duarve të mia porsi flia e mbrëmjes. 3 Vërja rojën, o Zot, gojës sime, edhe rojtarët në derë të buzëve të mia. 4 Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija për të sajuar punë të liga me njerëz të paudhë që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre. 5 Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë, le të më qortojë, por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, por paça lutjen përballë mbrapshtisë së tyre! 6 Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia. 7 Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës! 8 Tek ti, o Zot, o Zot, janë sytë e mi, ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im. 9 Më ruaj prej grackës që ma kanë ngritur, prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen. 10 Të gjithë keqbërësit bashkë rënçin në leqe të veta, kurse unë shëndoshë e kalofsha udhën. PSALMI 142 /141/ Urata e një të përndjekuri 1 Poemë. E Davidit, kur ishte në shpellë. Lutje. Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, me sa zë kam Zotin e përbej, 3 para tij zhgrehem në vajtimin tim, para tij e qes shtrëngimin tim. 4 Megjithëse shpirti im po meket në mua, ti e njeh udhën time. Udhës nga më duhej të kaloja ma ngrehën grackën. 5 Shikoja djathtas e shihja: s’ ishte askush që të më njohë! Askund shteg shpëtimi dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time! 6 Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, e thashë: “Ti je strehimi im, ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve. 7 Vështroji britmat e mia, sepse jam përvujtëruar për së tepërmi. Më liro prej salvuesve të mi, sepse janë më të fortë se unë. 8 Nxirre shpirtin tim prej rrethimit 2 që ta lavdëroj Emrin tënd. Rreth meje do të bashkohen të drejtët nëse mirësisht do të kujdesesh për mua”. PSALMI 143 /142/ Përlutje e përvuajtur 1 Psalm. I Davidit. O Zot, dëgjoje lutjen time, vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, më dëgjo në saje të drejtësisë sate. 2 Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje. 3 Armiku e salvon shpirtin tim, përdhe e shtroi jetën time, më ka lidhur në errësirë porsi të vdekurit e kahershëm, 4 shpirti im po rënkon në mua, të mpitë e kam zemrën në kraharor. 5 Më kujtohen ditët e shkuara, i kujtoj të gjitha veprat e tua, i peshoj veprat që ti i kreve. 6 I ngre drejt teje duart e mia, shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty. 7 Përgjigjmu pa vonesë, o Zot, se mbeta pa frymë, mos e fsheh fytyrën tënde prej meje të mos bëhem si ata që zbresin në varr. 8 Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, sepse shpresën e kam vënë në ty. Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin. 9 Më shpëto prej armiqve të mi, o Zot, jam ndore tënde! 10 Më mëso ta kryej vullnetin tënd, sepse ti je Hyji im. Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë, 11 më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi, 12 pashë mëshirën tënde shpërndaji armiqtë e mi, zhduki të gjithë ata që e salvojnë shpirtin tim sepse unë jam shërbëtori yt. PSALMI 144/ 143/ Himni për luftën e për fitoren 1 I Davidit. Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im që m’i mëson duart për luftim e gishtërinjtë për luftë. 2 Mëshira ime dhe kështjella ime, strehimi im dhe çlirimtari im, shqyti im pas të cilit fshihem, ai që popullin tim e vë nën sundimin tim. 3 O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, biri i njeriut që të kujdesesh për të? 4 Njeriu i përngjan avullit, ditët e tija si hija që kalon. 5 O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, preki malet e ato le të tymojnë. 6 Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, flakëro shigjetat dhe shpartalloji! 7 Shtrije dorën tënde prej së larti më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, prej kthetrave të bijve të huaj, 8 goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në gënjeshtër. 9 O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash, 10 sepse mbretërve ti u jep fitoren, e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd, prej shpatës vrastare. 11 Më shpëto e më liro prej kthetrave të bijve të të huajve, goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në gënjeshtër. 12 Bëj që fëmijët tanë të jenë porsi pema që rritet në rininë e vet, bijat tona porsi shtyllat e këndeve, të hijshme porsi shtyllat e Tempullit. 13 Drithnikët tanë mbushi plotë e përplot me gjithfarë frytesh me shumicë, delet tona me mijëra u shtofshin, të panumërta nëpër fushat tona, 14 gjedhet tona të majme e të shëndosha. Rrënime as sulme mos pastë në muret tona, as vaj e gjëmë ndër sheshet tona! 15 Lum ai popull që i ka këto të mira, lum ai popull që Hyjin e ka Zot! PSALMI 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë 1 Himn. I Davidit. Alef Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetës. Bet 2 Çdo ditë do të të bekoj dhe do ta lavdëroj Emrin tënd përgjithmonë e jetës. Gimel 3 Zoti është i madh e i lavdërueshëm, e pashqyertueshme është madhëria e tij! Dalet 4 Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua dhe do ta shpallin pushtetin tënd. He 5 Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, do t’i tregojnë mrekullitë e tua. Vau 6 Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat. Zain 7 Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, do t’i brohorisin drejtësisë sate. Het 8 Zoti është vetë butësia e mëshira, i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri. Tet 9 Zoti është i mirë për të gjithë, i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta. Jod 10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua e le të bekojnë shenjtërit e tu. Kaf 11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, le të kuvendin për pushtetin tënd, Lamed 12 për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate. Mem 13 Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, pushteti yt prej breznie në brezni. Nun Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, i shenjtë në të gjitha veprat e veta. Samek 14 Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, i çon ata që rrëzohen. Ain 15 Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, ti u jep ushqim në kohën e duhur. Fe 16 Ti e hap dorën tënde dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë. Sade 17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta. Kof 18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi. Res 19 E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, ua dëgjon përlutjen dhe i shpëton. Sin 20 Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë. Tau 21 Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë përgjithmonë e jetës. PSALMI 146 /145/ Himn Hyjit ndihmëdhënës 1 ALELUJA! Lavdëroje, shpirti im, Zotin! 2 Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time, derisa të jem, Hyjit tim do t’i këndoj. 3 Mos e vini shpresën tuaj në princa, në njeri që s’është i zoti të shpëtojë. 4 Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet, brenda një dite humbasin synimet e tija. 5 I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit, që e ka shpresën në Zotin, Hyjin e vet, 6 i cili krijoi qiellin e tokën, detin e gjithçka është në ta, që e mban besnikërinë për amshim, 7 që u jep të drejtën të nëpërkëmburve, u jep ushqimin të uriturve. Zoti i çliron robërit, 8 Zoti u jep dritën e syve të verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, 9 Zoti i mbron ardhacakët, u ndihmon bonjakëve e të vejave, ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët. 10 Zoti do të mbretërojë për jetë, Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni. PSALMI 147 /146, 1-11; 147/ Himn Hyjit të gjithëpushtetshëm 1 ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije! 2 Zoti e rindërton Jerusalemin, i bashkon izraelitët e mërguar! 3 Ai i shëron zemrat e copëtuara, i lidh plagët e tyre! 4 Ai e njeh numrin e yjeve dhe e thërret secilin me emër. 5 I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, e pakufishme është dija e tij. 6 Zoti i lartëson të përvuajturit, kurse përdhe i shtron keqbërësit. 7 Këndojani Zotit këngën e falenderimit, bini harpës për nder të Hyjit tonë! 8 Ai me re e mbulon qiellin dhe ia përgatit dheut shiun. Bën të rritet maleve bari edhe bimë për të mirën e njeriut. 9 Ai u jep ushqime bagëtive, deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë. 10 S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, s’i merr parasysh kërçikët e trimit: 11 Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, ata që shpresojnë në mirësinë e tij. 12 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd! 13 Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, i bekoi bijtë e tu në ty! 14 Ai ua siguron kufijve të tu paqen, ai të ushqen me palcën e grurit. 15 Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, lajmi i tij vrapon me shpejtësi. 16 E hedh borën porsi lesh, e derdh brymën porsi hi. 17 E lëshon breshrin porsi kafshatë, kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij? 18 E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, çon erën e vet e ujërat rrjedhin. 19 Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit. 20 Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta. Aleluja! PSALMI 148 Qielli e Toka e lavdërojnë Zotin 1 ALELUJA! Lavdëroni Zotin prej qiellit, lavdërojeni Atë në lartësi! 2 Lavdërojeni, të gjithë engjëjt e tij, lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tija! 3 Lavdërojeni, diell e hënë, lavdërojeni, të gjitha yjet ndriçuese! 4 Lavdërojeni, qiejt e qiejve, edhe ju, o ujëra, që jeni mbi qiell! 5 Le ta lavdërojnë Emrin e Zotit, sepse ai urdhëroi e ato u bënë; 6 i vendosi ato për jetë të jetës sipas ligjit që nuk njeh ndryshim. 7 Lavdëroni Zotin, ju që jeni mbi tokë, përbindësha të detit dhe të gjitha humnerat, 8 ti, o zjarr e breshër, borë e mjegull, ti, o erë e stuhishme, që kryen urdhrin e tij! 9 Male e kodra të gjitha, lëndë frutore e të gjithë cedrat; 10 egërsira e të gjitha bagëtitë, zvarranikë e ju, o shpendë me flatra! 11 Ju, o mbretërit e dheut e popuj të gjithë, princa e të gjithë gjykatësit e dheut! 12 Djelmosha e vajza, pleq e foshnja: 13 le ta lavdërojnë Emrin e Zotit, sepse i madhërueshëm është veç Emri i tij! Madhëria e tij tejkalon qiell e dhe, 14 Ai e ngre fuqinë e popullit të vet, mburrje për të gjithë të drejtët e vet, për bijtë e Izraelit - popull i afërm i tij. Aleluja! PSALMI 149 Himn ngadhënjimi 1 ALELUJA! Këndoni Zotit një këngë të re, këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve! 2 Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet! 3 Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës, 4 sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, të përvuajturit i nderon me shëlbim. 5 Le të galdojnë të drejtët në lumturi, le të brohorisin nga shtrojat e veta! 6 E paçin lavdinë e Zotit në gojë, e shpatën dytehëshe në dorë! 7 Për të marrë shpagim mbi paganë, për t’u dhënë popujve ndëshkim, 8 për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, princat e tyre në zinxhirë të hekurt, 9 për ta zbatuar mbi ta dënimin prej kohësh të shkruar: - ky është nder për të gjithë besnikët e tij. Aleluja! PSALMI 150 Himni përfundues 1 ALELUJA! Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore! 2 Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija, lavdërojeni për madhërinë e madhe të tij! 3 Lavdërojeni me zë të borisë, lavdërojeni me harpë e me cetër, 4 lavdërojeni me tupan e valle, lavdërojeni me korda e me fyej! 5 Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, lavdërojeni me cimbale brohorie! Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin! Aleluja!