1 e Korintasve: 1. Përshëndetje dhe falënderim

1

1 Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni,

2 Kishës së Hyjit që është në Korint,

të shenjtëruarve në Krishtin Jezus,

të grishurve të jenë shenjtër,

bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

Zotit të tyre dhe tonë.

3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!

4 Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5

sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka ‑ në çdo fjalë e në çdo dije. 6

Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7

sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. 8

Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht). 9

Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Përçarjet në kishën e Korintit

10 Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. 11 Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.

12 Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë:

“Unë jam i Palit!”

“Unë i Apolit!”

“Unë i Kefës!”

“Unë jam i Krishtit!”

13 Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? 14

E falënderoj Hyjin që, me përjashtim të Krispit e të Gajit, nuk pagëzova asnjë ndër ju, 15

që askush të mos mund të thotë se u pagëzuat në emër tim. 16 E po, paskam pasë pagëzuar edhe familjen e Stefanës! Me sa më kujtohet, nuk kam pagëzuar të tjerë. 17

Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit

18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. 19 Sepse është në Shkrim i shenjtë:

‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshëmve,

do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’

20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët. 22

E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

26 Jo, po, vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë! 27 Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t’i turpëruar të fortët; 28 dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë, 29 në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. 30 Po, Ai bëri “që ju të jeni” në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim, 31 siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’

Predikimi mbi Krishtin e kryqëzuar

1 e Korintasve: 2. Zbulimi i Shpirtit Shenjt

2

1 Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, 2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar. 3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. 4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, 5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.

Zbulimi i Shpirtit Shenjt

6 Ne, në të vërtetë, shpallim dijen në mes të të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, 7

por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, 8 atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mundi ta njohë; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 9 Por, siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi

dhe në zemër të njeriut nuk hyri,

atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’

10 Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore. 11 E njëmend, kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të? Kështu edhe çka është në Hyjin, askush nuk e di, përveç Shpirtit të Hyjit. 12 E ne nuk kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji. 13 Këtë edhe e shpallim, jo me argumentime të mësuara nga dituria njerëzore, por me mësim të Shpirtit Shenjt, duke shtjelluar gjëra shpirtërore me terma shpirtërorë. 14 Njeriu thjesht natyror nuk i merr vesh gjërat që rrjedhin prej Shpirtit të Hyjit: ato për të janë marri dhe nuk është i aftë t’i kuptojë, sepse duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15

Përkundrazi, njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt, 16 sepse:

‘Kush e njohu mendimin e Zotit

për ta mësuar Atë?’,

por ne e kemi mendimin e Krishtit.

1 e Korintasve: 3. Edukimi i njerëzve për Hyjin

3

1 E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor? 4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?

5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

10 Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t’ia vërë mendjen si ndërton. 11 Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti. 12 Kushdo të ndërtojë mbi këtë themel me ar, me argjend, me gur të paçmueshëm, me dru, me sanë, me kashtë ‑ 13 vepra e secilit do të dalë në dritë. Ajo Ditë do ta tregojë, sepse do të vijë me zjarr, e zjarri do ta provojë cilësinë e veprës të secilit. 14 Ai, vepra e të cilit do të qëndrojë, do të marrë shpërblimin. 15 Po iu dogj vepra ndokujt, ai do të pësojë dëm; njëmend do të shëlbohet, por si ai që shpëton nëpër zjarr.

16 Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? 17

Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

20 dhe përsëri:

‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,

e di se janë të kota.’

21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

1 e Korintasve: 4. Shërbesa e apostujve

4

1 Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. 2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. 3 Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. 4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti. 5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

6 Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. Jo përtej asaj që është e shkruar!’ që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. 7 E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh sikur s’e ke marrë? 8 Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, të bëheshit vërtet mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!

9 E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;

10 ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,

‑ ne të dobët,

ju të fortë,

ju të nderuar e ne të përbuzur,

11 deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplëng e të pashtëpi, 12 lodhemi duke punuar me duart tona.

Na shajnë e ne flasim mirë për ta,

na salvojnë e ne durojmë;

13 na shpifen e ne ngushëllojmë.

U bëmë deri më sot porsi plehrat e botës, porsi mbeturinat e gjithkujt!

14 Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. 15 Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. 16 Prandaj, ju përbej: më përngjani! 17 Po për këtë punë jua dërgova Timoteun, që e kam bir të dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t’ju përkujtojë udhëzimet e mia në Krishtin (Jezus): gjithçka ashtu sikurse mësoj gjithkund, në çdo kishë.

18 Tani disa, duke menduar se unë nuk do të vij atje te ju, çuan kokë e po shesin mendjemadhësi! 19 Por, ja, nuk do të vonoj, në dashtë Zoti, e do të vij te ju dhe do të shqyrtoj, jo fjalët e atyre mendjemëdhenjve, por veprat e tyre, 20

sepse Mbretëria e Hyjit nuk qëndron në fjalë, por në virtyt. 21 Çka dëshironi më tepër: të vij te ju me thupër apo me dashuri e me shpirt butësie?

1 e Korintasve: 5. Dënimi i fëlligështisë

5

1 Gjithkund po dëgjohet se ndër ju ka fëlligështi, madje një fëlligështi të tillë, që nuk gjendet as ndër paganë: njëri prej jush jeton si me gruan me gruan e babait të vet. 2 E ju më keni çuar krye! Pse më mirë nuk jeni veshur në zi? Le të çrrënjoset prej mesit tuaj ai që e bëri këtë poshtërsi! 3 Unë, larg me trup, por afër me shpirt, e kam dënuar, si të isha pranë, atë që e bëri një vepër të tillë. 4 Në Emër të Zotit (tonë) Jezus, pasi të bashkoheni ju dhe shpirti im me ju, me pushtetin e Zotit tonë Jezus, 5

i tilli le t’i lëshohet djallit në duar për prishjen e trupit që t’i shpëtojë shpirti në Ditën e Zotit.

6 Nuk ju vlen gjë krenaria! Po a nuk e dini se pak tharm e brumos mbarë brumin? 7 Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. 8 Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukën e pabrumë të pastërtisë e të së vërtetës.

9 Ju kam shkruar në letrën time të mos keni marrëdhënie me fëlligështarë ‑ 10 nuk është fjala për fëlligështarët e kësaj bote, as për lakmuesit, as për cubat, as për idhujtarët në përgjithësi ‑ përndryshe do të duhej të dilnit prej botës. 11 Në të vërtetë, ju shkrova që të mos keni marrëdhënie me të ashtuquajturin “vëlla” që është fëlligështar, ose lakmues, ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose cub. Me të tillin as bukë mos hani! 12

Çka më duhet mua të gjykoj ata që janë jashtë!? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda? 13 Ata jashtë Kishës do t’i gjykojë Hyji.

‘Zhdukeni të keqen prej rrethit tuaj!’

1 e Korintasve: 6. Thirrja në gjyqe të të pafeve

6

1 A do të guxojë ndokush prej jush, nëse ka ndonjë padi kundër ndonjë tjetri, të kërkojë të drejtën në gjyq para paganëve e jo para shenjtërve? 2 Po a nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? E, nëse ju do ta gjykoni botën, po a thua s’jeni të zotët t’i gjykoni gjërat më të vogla? 3 Po a nuk e dini se do t’i gjykojmë edhe engjëjt e jo më gjërat e përditshme? 4 E ju, kur keni ndonjë pleqësi për gjërat e përditshme, shkoni e më vini pleq disa që Kisha i mban për asgjë? 5 Le t’ju vijë turp që më detyroni t’jua them këtë gjë! Kështu a? A thua nuk gjendet ndër ju asnjë i dijshëm, i cili do të mund të pleqëronte mes vëllezërve të vet? 6 Por vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve?! 7 Po edhe vetë puna që paditeni me njëri-tjetrin është e metë për ju. Pse më mirë nuk e duroni padrejtësinë? Pse më mirë nuk duroni të plaçkiteni? 8 Por, përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit! 9 A thua nuk e dini se ata që bëjnë padrejtësi nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit? Mos u tradhtoni! As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, 10 as vjedhësit, as pijanecët, as shpërralluesit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. 11 Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë.

Lavdëroni në trupin tuaj Hyjin

12 “Për gjithçka kam leje... !”

“Por gjithçka nuk më sjell dobi!”

“Për gjithçka kam leje... !”

“Por ‑ s’dua që ndonjë gjë të më sundojë.”

13 “Gjellërat janë për bark e barku për gjellëra... !”

“Por Hyji do t’i shkatërrojë këtë dhe ato. E trupi nuk është për fëlligështi, por i përket Zotit, e Zoti për trupin. 14 Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet, edhe ne do të na ngjallë.

15 A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos e thashtë Zoti! 16 [Apo] A nuk e dini se ai që bashkohet me laviren, bëhet me të një trup? Sepse thuhet: ‘Do të jenë të dy një trup i vetëm.’ 17 Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt. 18 Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. 19 Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju, që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? 20 Sepse jeni blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepini lavdi Hyjit në trupin tuaj!

1 e Korintasve: 7. Çështje lidhur me martesën

7

1 Tani lidhur me çka më keni shkruar.

Është mirë për njeriun të mos e prekë gruan. 2 Megjithatë, për arsye të rrezikut të fëlligështisë, secili le ta ketë gruan e vet dhe çdo grua le ta ketë burrin e vet. 3

Burri le ta kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. 4 Gruaja nuk është pronarja e trupit të vet, por burri. Gjithashtu as burri nuk është pronari i trupit të vet, por gruaja. 5 Mos ia mohoni njëri‑tjetrit detyrën martesore, përveç me marrëveshje e përkohësisht që t’i kushtoheni lutjes e bashkohuni përsëri që djalli të mos ketë rast t’ju tundojë për shkak të papërmbajtjes suaj. 6 Këtë gjë jua them si lejim e jo si urdhër. 7

Kisha dashur që të gjithë njerëzit të ishin si unë; porse, secili e ka prej Hyjit dhuratën e vet të veçantë ‑ njëri kështu e tjetri ashtu.

8 Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë për ta nëse qëndrojnë si unë. 9 Por, nëse nuk janë të zotët të përmbahen, le të martohen ‑ sepse më mirë është të martohen se të digjen.

10 Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet prej burrit 11 ‑ por, po ndodhi që të ndahet, të mos martohet më ose të pajtohet me burrin ‑ e burri të mos e lërë gruan.

12 Të tjerëve u them unë, e jo Zoti: në qoftë se ndonjë vëlla e ka gruan të pafe dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë. 13 Po ashtu edhe gruaja që e ka burrin të pafe dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin. 14 Sepse burri i pafe shenjtërohet prej gruas dhe gruaja e pafe shenjtërohet prej burrit të krishterë. Përndryshe, fëmijët tuaj do të ishin të papastër, kurse kështu ‑ janë shenjtër. 15 Po qe se pala jo e krishterë do të ndahet, le të ndahet; i krishteri dhe e krishtera në raste të tilla nuk janë të lidhur: sepse Hyji na thirri në paqe. 16 Vërtet, çka di ti, o grua, se do ta shëlbosh burrin? E nga e di ti, o burrë, se do ta shëlbosh gruan?

Gjendja e jetës si ta ketë caktuar Zoti

17 Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu si ia ka dhënë Zoti, ashtu si ka qenë kur Hyji e thirri. Kështu caktoj në të gjitha kishat. 18 A u thirr ndokush si i rrethprerë? Mos të mundohet ta ndreqë rrethprerjen! Një tjetër ishte i parrethprerë? Mos të rrethpritet! 19 Nuk është asgjë rrethprerja dhe nuk është asgjë parrethprerja ‑ vlen vetëm zbatimi i urdhërimeve të Hyjit. 20 Secili le të rrijë në atë gjendje në të cilën ishte kur u thirr. 21 Ishe ti skllav kur u ktheve në fe? Mos u prish, por, edhe nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë përfito prej gjendjes sate. 22 Sepse, ai që u thirr si skllav, është i liruari i Zotit. Po ashtu edhe ai që u thirr si i lirë, është skllav i Krishtit. 23 Krishti e ka paguar shpërblimin tuaj: mos u bëni skllevër të njerëzve! 24 Secili, o vëllezër, le të qëndrojë në Hyjin në atë gjendje, në të cilën ishte kur u kthye në fe.

Virgjëria dhe vejëria

25 Lidhur me virgjërat nuk kam farë urdhri prej Zotit, por jap këshillë si një njeri që, në saje të mëshirës së Zotit, meriton t’i besohet. 26 Pra, mendimi im është se kjo gjendje është e mirë ‑ për shkak të ngushticës së tanishme, mendoj se është mirë për njeriun që të qëndrojë ashtu. 27 Je i lidhur me grua? Mos kërko ndarje! Je i lirë nga gruaja? Mos kërko grua! 28 Po edhe nëse martohesh, nuk bën mëkat. Po edhe virgjëra, nëse martohet, nuk bën mëkat, por të tillët do të kenë vuajtje në trup, e unë dëshiroj t’ju kursej.

29 Ja, ç’dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Që tani edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, 30 ata që qajnë, sikurse të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të vetën; 31 ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. 32 E dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit. 33 Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, si t’i pëlqejë gruas 34 dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë [e] me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit: si t’i pëlqejë burrit. 35 Këto po jua them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrën më të përshtatshme ‑ krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit.

36 Në qoftë se ndokush e sheh veten se nuk mund të qëndrojë i ndershëm kundrejt së fejuarës së vet, e ajo e ka arritur pjekurinë, dhe i duhet të jetë me të, le të bëjë çka ka menduar, nuk mëkaton: le të martohen. 37 Por ai që ka marrë në zemër të vet vendim të qëndrueshëm e nuk ka nevojë dhe zotëron me vullnetin e vet e në zemrën e vet e merr vendimin të ketë nderim kundrejt të fejuarës së vet, bën mirë. 38 Kështu, pra, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë ‑ ai që nuk martohet, bën edhe më mirë.

39 Gruaja është e lidhur derisa ta ketë burrin gjallë, po i vdiq burri, është e lirë: le të martohet me kë të dëshirojë ‑ veçse me të krishterë. 40 Do të ishte veç, më e lumtur ‑ ky është mendimi im ‑ nëse do të qëndronte ashtu si është. Mendoj se edhe unë e kam Shpirtin e Hyjit.

1 e Korintasve: 8. Mishrat e flijuara idhujve

8

1 Lidhur me mishrat e flijuara idhujve

dihet se të gjithë e kemi njohurinë e duhur. Por dija rrit mendjen, kurse dashuria ndërton. 2 Nëse ndokush mendon se di diçka, nuk di ende ashtu si duhet të dijë. 3 Por, nëse ndokush e do Hyjin, atë Hyji e pranon për të vetin. 4 Prandaj, lidhur me ngrënien e mishrave të flijuara idhujve, e dimë: idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka hyjni përveç një Hyji të vetëm. 5 Sepse, edhe pse ka të ashtuquajtura hyjni në qiell ose në tokë ‑ siç ka shumë “hyjni” e shumë “zotërinj” ‑ 6 për ne s’ka veç një Hyj, Atin, prej të cilit është krijuar gjithçka e të cilit ne i përkasim; dhe një Zot të vetëm Jezu Krishtin, nëpër të cilin është gjithçka e ne jemi nëpër të.

7 Por këtë dije të mjaftueshme nuk e kanë të gjithë. Disa, duke kujtuar se është diçka idhulli, e hanë mishin sikurse t’i përkiste idhullit, e ndërgjegjja e tyre, ngaqë është e ligshtë, përlyhet. 8 E gjella, pra, nuk na shpie te Hyji, as, nëse nuk e hamë, nuk humbim gjë, as, nëse e hamë, nuk fitojmë gjë.

9 Por, t’ia vini mendjen që kjo, liria juaj, të mos jetë skandal për të ligshtët. 10 Sepse, po të shikoi ndokush ty që ke njohuri ndenjur në tryezë në shenjtërore të idhullit, a thua ndërgjegjja e tij, ngaqë ende e ligshtë, nuk do të nxitet të mendojë se është mirë të hajë flijime të idhullit? 11 Kështu në saje të dijes sate, sharron i ligshti ‑ vëllai ... për të cilin vdiq Krishti. 12 Në këtë mënyrë, pra, duke mëkatuar kundër vëllezërve e duke plagosur ndërgjegjen e tyre të ligshtë, mëkatoni kundër Krishtit. 13 Prandaj, nëse një ushqim e shkandullon vëllain tim, jo, unë nuk do të ha mish kurrë e për këtë jetë, që të mos e shkandulloj vëllain tim.

1 e Korintasve: 9. Pali heq dorë nga të drejtat që i takojnë si apostull

9

1 Po unë, a nuk jam i lirë? A nuk jam apostull?

Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë? Po a nuk jeni ju vepra ime në Zotin? 2 Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, për ju jam patjetër, sepse vula që më bën apostull jeni ju në Zotin.

3 Përgjigja ime atyre që më padisin është kjo: 4 A thua nuk kemi të drejtë të hamë e të pijmë (në barrën tuaj)? 5 A thua nuk kemi të drejtë të marrim me vete një femër të krishterë, sikurse edhe apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit e Kefa? 6 A thua vetëm unë e Barnaba nuk e kemi të drejtën të mos punojmë?

7 Po kush shërbeu ndonjëherë në ushtri me shpenzime të veta? Kush e mbjell vreshtin e nuk ha fryt prej tij? Kush e ruan grigjën e nuk pi nga qumështi i grigjës?

8 A mos po flas unë kështu në mënyrë vetëm njerëzore? Pse, a nuk e thotë po të njëjtën gjë edhe Ligji? 9 Sepse në Ligjin e Moisiut shkruan: ‘Mos ia lidh gojën kaut që shin!’ A mos trazohet Hyji për qe? 10 Po a nuk flet për ne? Vërtet, për ne u shkrua, sepse kush lëvron, në shpresë duhet të lëvrojë dhe kush shin, duhet të shpresojë se do ta marrë pjesën. 11 Nëse, pra, mbollëm në ju të mirat shpirtërore, a thua është punë e madhe nëse u korrim të mira materiale? 12 Nëse të tjerët e ushtrojnë këtë të drejtë mbi ju, pse nuk do ta ushtronim edhe ne, madje më tepër?

Por, ne nuk e përdorëm këtë të drejtë. Përkundrazi, ne i durojmë të gjitha për të mos i vënë ndonjë pengim Ungjillit të Krishtit. 13 Po, a nuk e dini se ata që kryejnë shërbesën në Tempull, ushqehen prej të ardhurave të Tempullit dhe ata që i shërbejnë lterit, kanë pjesën e vet në kushte të lterit? 14 Kështu Zoti ka caktuar që ata, të cilët shpallin Ungjillin, të jetojnë prej Ungjillit.

15 E unë nuk e përdora asnjërën prej këtyre; dhe tani nuk po ju shkruaj me qëllim që tani të silleni me mua kështu: më parë vdes se... Këtë lavdi nuk do të ma marrë askush! 16 Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenarie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! 17 Nëse e bëj këtë me nismën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej nismës sime ‑ është detyrë që më është besuar. 18 Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas, pa i përdoruar të drejtat që m’i jep Ungjilli.

19 Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitoj për fe sa më shumë njerëz. 20 Prandaj, për judenj u bëra jude, që t’i fitoj judenjtë për fe; për ata nën Ligj, sikurse të isha nën Ligj ‑ edhe pse më nuk jam nën Ligj ‑ që t’i fitoja për fe ata që janë nën Ligj; 21 për ata që janë pa Ligj sikurse të isha pa ligj ‑ edhe pse nuk jam pa Ligjin e Hyjit, pse jam në Ligjin e Krishtit ‑ që t’i fitoja për fe ata që janë pa Ligj; 22 u bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. 23 E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të.

24 Po a nuk e dini se ata që vrapojnë në fushë vrapimi, ndonëse të gjithë vrapojnë, vetëm njëri e fiton shpërblimin? Ashtu vraponi që të fitoni! 25 Të gjithë atletët i bëjnë vetes shtrëngime të mëdha; ata për të fituar kurorën e shkatërrueshme e ne kurorën që nuk shkatërrohet. 26 Unë, prandaj, ashtu vrapoj ‑ jo si pa qëllim, ashtu grushtoj ‑ jo si të gjuaja ajrin, 27 por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.

1 e Korintasve: 10. Qortim rreth idhujtarisë

10

1 Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det 2

dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det 3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, 4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. 5 Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, pasi qenë vrarë në shkretëtirë. 6 Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos e lakmojmë të keqen, siç e lakmuan ata. 7 As mos u bëni idhujtarë, sikurse disa prej tyre, si është në Shkrim e Shenjtë:

‘U ul populli të hajë e të pijë,

pastaj u ngritën të lozin.’

8 As mos të jepemi pas fëlligështisë, siç u dhanë disa prej tyre, e mbaruan në një ditë njëzet e tri mijë vetë. 9 As mos ta vëmë në provë Zotin, sikurse disa prej tyre e sprovuan dhe sharruan prej gjarpërinjsh. 10 As mos murmurisni siç murmurisin disa prej tyre dhe engjëlli Shfarues i vrau.

11 Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës.

12 Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet që të mos rrëzohet! 13

Vështirësitë në të cilat qetë vënë, nuk ishin jashtë masës njerëzore. Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u nënshtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me provat, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’u qëndruar.

14 Prandaj, o të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria! 15 Flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykoni vetë çka po them: 16 Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? 17 Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. 18

Shikoni Izraelin thjesht si popull: ata që hanë nga flitë a thua nuk janë pjesëmarrës të lterit? 19

Çka, pra, dua të them: se flia kushtuar idhullit është diçka? Ose idhulli është diçka? 20 Mu të kundërtën! Porse [paganët] u flijojnë djajve e jo Hyjit; e unë nuk dua të bëheni pjesëtarë të djajve. 21 Nuk dua ta pini gotën e Zotit dhe gotën e djajve. Nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Hyjit dhe të tryezës së djajve. 22 A mos mendojmë ta nxisim xhelozinë e Zotit? A mos jemi më të zotët se Ai?

Gjithçka për nderin e Hyjit

23 “Gjithçka është e lejueshme!”

“Por gjithçka nuk ka hije!”

“Gjithçka është e lejueshme!”

“Por gjithçka nuk ndërton!” 24 Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit. 25 Gjithçka shitet në treg, hajeni lirisht pa bërë pyetje për sa i përket ndërgjegjes, 26 ‘Sepse e Zotit është toka dhe gjithçka është në të.’

27 Po ndodhi e ju thirri ndonjë i pafe dhe ju pranoni të shkoni, hani çka t’ju vihet para duke mos pyetur gjë sa për arsye të ndërgjegjes. 28 Nëse ndokush ju thotë: “Është mish i flijuar idhujve!” ‑ mos e hani për arsye të atij që ju përkujtoi dhe të ndërgjegjes 29 ‑ të ndërgjegjes, e kam fjalën, të atij që të përkujtoi e jo të ndërgjegjes sate. E njëmend, pse ta gjykojë lirinë time ndërgjegjja e huaj? 30 Në qoftë se unë marr pjesë me falënderim, përse të prozhmohem për atë gjë, për të cilën falënderoj?

31 Pra, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. 32 Mos jini, veç, rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit, 33 sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen.

1 e Korintasve: 11. Themelimi i Darkës së Zotit

11

1 Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit.

Si duhet të rrijë burri e gruaja në praninë e Hyjit

2 Ju lavdëroj që më kujtoni në gjithçka dhe që i ruani traditat ashtu si jua kam pasë mësuar. 3

Por dua që ta dini:

kryetari i çdo njeriu është Krishti, kryetari i gruas është burri e kryetari i Krishtit është Hyji. 4 Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë të mbuluar, turpëron kryetarin e vet. 5 Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë të zbuluar, turpëron kryetarin e vet: sepse është njësoj sikurse t’i kishte qethur flokët. 6 E po ndodhi që ndonjë grua nuk do ta mbulojë kokën, le të qethet; por, në qoftë se është turp për gruan ta qethë e ta rruajë kokën, atëherë le të mbulohet.

7 Përkundrazi, burri nuk ka nevojë ta mbulojë kokën sepse është shëmbëlltyra e lavdisë së Hyjit; ndërsa gruaja është nderi i burrit. 8 Sepse nuk është burri prej gruas, por gruaja prej burrit. 9 Dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas, por gruaja për arsye të burrit. 10 Prandaj, gruaja duhet ta mbajë mbi kokë shenjën e “vartësisë”, për shkak të engjëjve. 11 Megjithëse, në Zotin, as s’është burri i pavarur nga gruaja e as gruaja nga burri. 12 Sepse, sikurse gruaja që është prej burrit, ashtu edhe burri lind prej gruas: e gjithçka vjen prej Hyjit.

13 Gjykoni ju vetë: a ka hije që gruaja të lutet para Hyjit me kokë të zbuluar? 14 Po a nuk ju mëson edhe vetë natyra, se nuk i ka hije mashkullit t’i lërë flokët e gjatë, 15 kurse për femrën flokët e gjatë janë nder, sepse [asaj] i qenë dhënë si mbulesë. 16 Por, në qoftë se ndokush mendon se ka të drejtë të kundërshtojë, le ta dijë se ky zakon nuk është ndër ne as në kishat e Hyjit.

Shpërdorimi i Darkës së Zotit

17 E, pasi jam duke i dhënë këto vërejtje, nuk mund t’ju lavdëroj: bashkimet tuaja nuk po ju sjellin dobi shpirtërore, por më tepër dëm. 18 Më së pari po dëgjoj ‑ e pjesërisht e besoj ‑ se kur bashkoheni në Mbledhje paska mes jush mosmarrëveshje. 19 Njëmend, duhet të jenë ndër ju dasi, në mënyrë që të dalin në shesh [edhe] ata që ndër ju janë të krishterë të vërtetë. 20 Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit, 21

pasi, secili, kur merr pjesë në Darkë, kërkon të hajë një herë ushqimin që ka sjellë me vete, kështu që, dikush mbetet i uritur e tjetri dehet. 22 Po a thua nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? A mos doni të përbuzni Kishën e Hyjit e t’i turpëroni ata që nuk kanë? Çka t’ju them? T’ju lavdëroj? Në këtë gjë s’ju lavdëroj.

Themelimi i Darkës së Zotit

(Mt 26, 26‑29; Mk 14, 22‑25; Lk 22, 14‑20)

23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, 24 falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” 25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” 26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.

Pjesëmarrja e padenjë në Darkën e Zotit

27 Prandaj, kushdo ha bukën ose pi kelkun e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i Trupit e i Gjakut të Zotit. 28 Për këtë arsye secili më së pari ta shqyrtojë mirë veten e veç atëherë të hajë prej kësaj Buke e të pijë prej këtij Kelku. 29 Sepse, kushdo ha e pi ‑ në qoftë se nuk e dallon Trupin e Zotit prej ushqimeve të tjera ‑ ha e pi dënimin e vet. 30 Ja, pra, arsyeja pse shumë prej jush janë të dobët, shumë të sëmurë, madje shumë edhe vdesin. 31 E pra, po ta shqyrtonim mirë veten, nuk do të dënoheshim. 32

E kur na gjykon Hyji, na edukon, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33 Prandaj, vëllezërit e mi, kur të bashkoheni në Darkë, priteni njëri‑tjetrin. 34 E, nëse ndokush është i uritur, le të hajë në shtëpi, në mënyrë që të mos bashkoheni për dënim.

Të tjerat do t’i rregulloj kur të vij.

1 e Korintasve: 12. Dhuratat e Shpirtit Shenjt

12

1 Po edhe për sa u përket dhuratave të Shpirtit Shenjt nuk dua, o vëllezër, të mos jeni të njoftuar mirë. 2

Ju e dini se, kur ishit paganë, të gënjyer, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë. 3 Prandaj, po ju them: askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit, nuk thotë: “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.

4 Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë ‑

5 edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë ‑

6 po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë ‑

Ai bën gjithçka në të gjithë.

7 Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.

8 Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; 9 po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt, i jep dhuratën e shërimeve;

10 një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli,

një tjetri profecinë,

një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat,

një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme,

një tjetri shtjellimin e gjuhëve.

11 E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si Ai do.

Një trup i vetëm e shumë gjymtyrë

12 Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë ‑ nuk trajtojnë veçse një trup të vetëm ‑ ashtu edhe Krishti. 13 Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.

14 E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh. 15 Po bëri e tha këmba: “Pasi nuk jam dorë ‑ nuk jam pjesë e trupit” ‑ a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? 16 Po bëri e tha veshi: “Pasi nuk jam sy ‑ nuk jam pjesë e trupit” ‑ a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? 17 Po të ishte krejt trupi sy ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte krejt vesh ku do të ishte shqisa e të nuhaturit? 18 Porse Hyji kështu i ka caktuar gjymtyrët, secilën në trup sikurse ka dashur. 19 Po të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? 20 Kështu pra, shumë gjymtyrë, por vetëm një trup. 21 Syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, ose koka këmbëve: “S’kam nevojë për ju!” 22 Madje, ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme, 23 dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, 24 e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Por Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, 25 që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët njësoj të kujdesen njëra për tjetrën. 26 Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.

27 Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij.

28 Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme. 29 A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? 30 A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë?

Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshme!

Dashuria

Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyshmen udhë!

1 e Korintasve: 13. Dashuria

13

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka,

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe‑faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

13 Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria

‑ këto të tria ‑

porse më e madhja ndër to është dashuria.

1 e Korintasve: 14. Gjuhët dhe profecitë

14

1 Kërkoni të fitoni dashurinë. Dëshironi edhe dhuratat e Shpirtit Shenjt, sidomos atë të profecisë. 2 Sepse, ai që flet gjuhë të huaj, flet me Hyjin e jo me njerëz: askush nuk e merr vesh, sepse me anë të Shpirtit flet gjëra të fshehura. 3 Kurse, ai që profetizon u flet njerëzve: edukon, qorton, ngushëllon. 4 Ai që flet në gjuhë të huaj edukon veten, kurse ai që profetizon, edukon bashkësinë. 5 Dëshiroj që të gjithë ju të flisni në gjuhë të ndryshme, por më tepër dëshiroj të profetizoni, sepse më i madh është ai që profetizon se ai që flet në gjuhë të ndryshme, përveç se në shtjelloftë për edukimin e Kishës.

6 Zini tani, vëllezër, se unë po vij te ju e po ju flas në gjuhë të ndryshme. Çka do t’ju vlente, po të mos ju tregoja ndonjë zbulesë, ose ndonjë njohuri, o profeci apo mësim? 7 Nëse, pra, veglat muzikore, që nuk janë të gjalla ‑ flauti ose cetra, nuk japin tinguj të qartë, si do të mund të merret vesh çka ekzekutohet me flaut ose me cetër? 8 Po edhe boria, nëse jep tingull jo të qartë, kush do të bëhej gati për luftim? 9 Po kështu edhe ju, nëse gjuha juaj nuk flet fjalë të kuptueshme, si do të merret vesh çka thoni? Fjalë në erë! 10 E në botë ka, kushedi se sa lloj fjalësh ‑ e secila ka vështrimin e vet. 11 Tashti, nëse nuk ia di vështrimin fjalës, unë do të jem i huaj për atë që flet dhe ai që flet, i huaj për mua. 12 Kështu edhe ju, pasi dëshironi me gjithë zemër t’i keni dhuratat e Shpirtit Shenjt, bëni çmos t’i keni me begati për edukimin e Kishës.

13 Prandaj, ai që flet në gjuhë të ndryshme, le të lutet për ta fituar dhuratën e shtjellimit. 14 Në qoftë se lutem në gjuhë të huaj, shpirti im lutet, por mendja ime nuk sjell fryt.

15 Çka të bëj, pra? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me kuptim. Do të këndoj me shpirt, por do të këndoj edhe me kuptim. 16 Sepse, në qoftë se e bekon Hyjin me shpirt, si do t’i përgjigjet: “Amen” falënderimit tënd, ai që është pjesëtar i dëgjuesve të thjeshtë pasi ai nuk di çka thua ti? 17 Ti, njëmend, falënderon një bukuri, por tjetri nuk ndërtohet. 18 Faleminderit Hyjit, unë flas në gjuhë të huaja më tepër se ju të gjithë, 19 porse, në një mbledhje më tepër dëshiroj të them vetëm pesë fjalë që merren vesh për mësim të të tjerëve, se sa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaja.

20 Vëllezër, mos jini më fëmijë përkah kuptimi, por të jeni fëmijë për nga e keqja, kurse të rritur për nga kuptimi. 21 Në Ligj është shkruar:

‘Unë do t’i flas këtij populli ‑ thotë Zoti ‑

në gjuhë të huaja e me buzë të huaja

dhe as ashtu nuk do të më dëgjojnë.’

22 Këndej, gjuhët e huaja nuk janë shenjë për besimtarët, por janë shenjë për ata që nuk besojnë, e përkundrazi, profecia është shenjë për besimtarët e jo për ata që nuk besojnë. 23 Po e zëmë, se, për shembull, bashkohet mbarë Kisha dhe të gjithë flasin në gjuhë të huaja e, ndërkaq hyjnë të tillë që s’kanë njohuri ose nuk besojnë, a thua nuk do të mendojnë se jeni marruar? 24 Kurse, në qoftë se të gjithë profetizojnë, i pafeu ose dëgjuesi i thjeshtë që hyn, për të çdo gjë bëhet qortim dhe dënim. 25 Atëherë zbulohen fshehtësitë e zemrës së tij. Kështu ai do të bjerë përmbys dhe do ta adhurojë Hyjin duke pranuar: “Hyji është me të vërtetë mes jush!”

Rregulla praktike si duhen përdorur dhuratat

26 Çka të bëhet atëherë, vëllezër? Kur të bashkoheni, ndonjëri mund të këndojë një psalm, tjetri ka një mësim, ka një zbulesë, ka një fjalim në gjuhë, ka sqarim gjuhësh ‑ le të bëhen të gjitha për ndërtimin e përbashkët. 27 Nëse flitet në gjuhë të huaja, le të flasin dy ‑ më së shumti tre ‑ por edhe këta me rend, dhe njëri le të shpjegojë. 28 Pra, kur nuk ka kush të përkthejë, ai që di gjuhë të huaj le të heshtë në bashkësi, le të meditojë e të flasë me Hyjin. 29 Lidhur me profetët, le të flasin dy ose tre e tjerët le të gjykojnë. 30 Por, po qe se ai afër tij ka ndonjë zbulesë, atëherë i pari le të heshtë. 31 Një nga një, të gjithë mund të profetizoni, në mënyrë që të gjithë të mësojnë e të nxiten kah e mira. 32 Profetët zotërojnë me shpirtin frymëzues të vetin, 33 sepse Hyji nuk është shkaktues çrregullimesh, por i paqes.

Sikurse edhe në të gjitha kishat e shenjtërve, 34 gratë le të heshtin në Mbledhje: nuk është e lejueshme të flasin; por, sikurse edhe Ligji thotë, le të dëgjojnë. 35 Po dëshiruan të mësojnë ndonjë gjë, le t’i pyesin burrat e vet në shtëpi, sepse nuk i ka hije gruas të flasë në Mbledhje. 36 A thua ndoshta fjala e Hyjit ka rrjedhur prej jush ose ka arritur vetëm te ju?

37 Në qoftë se ndokush mendon se është profet ose i frymëzuar, le ta dijë: çka po ju shkruaj është urdhër i Zotit. 38 Kush nuk e pranon, as ai të mos pranohet.

39 Prandaj, o vëllezër [të mi], dëshirojeni dhuratën e profecisë, por mos pengoni të flasin në gjuhë të huaja, 40 e gjithçka le të bëhet në mënyrë të ndershme e rregullisht.

1 e Korintasve: 15. Të ngjallurit e Krishtit

15

1 Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. 2 Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.

3 Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë.

4 Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë.

5 Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve.

6 Pastaj iu duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. 7 Pastaj iu dëftua Jakobit e pastaj të gjithë apostujve.

8 Më së fundi m’u dëftua edhe mua ‑ dështakut.

9 E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. 10 Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua.

11 Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.

Ngjallja prej vdekjes

12 Por, në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.”? 13 Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen ‑ atëherë as Krishti nuk është ngjallur. 14 Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë ‑ i kotë besimi juaj. 15 Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rrejshëm kundër Hyjit, sepse kemi dëshmuar kundër Hyjit duke pohuar se Hyji e ngjalli Krishtin, të cilin nuk e ka ngjallur, në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen. 16 Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. 17 Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. 18 Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. 19 E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët.

20 Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!

21 Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. 22 Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. 23 Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë ‑ Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, 24 pastaj ‑ mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. 25 Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tij të gjithë armiqtë e tij. 26 Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. 27 Sepse “gjithçka ka vënë nën këmbët e tij”. E kur thotë Shkrimi i shenjtë: “Gjithçka i ka vënë nën këmbë” ‑ merret vesh, gjithçka, me përjashtim të Atij, që ia nënshtroi të gjitha. 28 E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, [edhe] vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.

29 Nëse nuk është kështu, çka fitojnë atëherë ata që pagëzohen për të vdekur? Në qoftë se të vdekurit kurrsesi nuk ngjallen, pse atëherë të pagëzohen për ta? 30 Po edhe ne, përse atëherë e vëmë veten në rrezik për çdo moment? 31 Për çdo ditë vdes, [o vëllezër], pasha lavdinë që e kam për shkak tuaj te Jezu Krishti, Zoti ynë! 32

Çfarë dobie do të kemi në qoftë se kam luftuar vetëm si njeri kundër egërsirave në Efes? Në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen, atëherë: ‘Të hamë e të pimë se nesër do të vdesim!’

33 Mos e rreni veten: ‘Bisedat e këqija i prishin zakonet e mira.’

34 Mblidhni mirë mendtë e mos mëkatoni, se ‑ për turpin tuaj po e them ‑ disa prej jush nuk e njohin Hyjin.

Trupi i ngjalljes

35 Por, ndokush do të pyesë: “Si ngjallen të vdekurit?” dhe: “Me çfarë trupi do të vijnë?”

36 I pamend! Çka ti mbjell, nuk e fiton jetën, po s’vdiq! 37 Dhe çka mbjell, nuk mbjell trupin e ardhshëm, por një kokërr të thjeshtë ‑ po e zëmë gruri apo të ndonjë fare tjetër. 38 Pastaj Hyji i jep lëndën ashtu si ai do, ‑ secilës farë trupin e vet.

39 E çdo trup nuk është i njëjtë me çdo trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve, e tjetër trupi i peshqve. 40 E ka trupa qiellorë e trupa tokësorë; por tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë e tjetër ai i trupave tokësorë. 41 Tjetër është shkëlqimi i diellit e tjetër ai i hënës e tjetër ai i yjeve; madje ylli prej yllit dallohet në shkëlqim.

42 Kështu edhe ngjallja e të vdekurve: mbillet në shkatërrueshmëri e ngjallet në pashkatërrueshmëri; 43 mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi; mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi; 44 mbillet trup lëndor e ngjallet trup shpirtëror.

Nëse ka trup lëndor, ka edhe trup shpirtëror. 45 Kështu edhe është shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami ‑ u bë shpirt i gjallë, Adami i fundit ‑ Shpirti që jep jetën. 46 Por, nuk qe më parë qenia shpirtërore, por qenia lëndore e atëherë u bë qenia shpirtërore. 47 Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. 48 Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët, si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët. 49 Siç kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor.

50 Dhe, ja, vëllezër, se çka unë pohoj: mishi e gjaku nuk mund ta trashëgojnë Mbretërinë qiellore, as shkatërrueshmëria nuk e trashëgon pashkatërrueshmërinë.

51 Ja, po jua tregoj misterin: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi. 52 Përnjëherë, sa çel e mbyll syrin, në zërin e borisë së fundit ‑ sepse do të bjerë boria ‑ të vdekurit do të ngjallen të pashkatërrueshëm edhe ne do të shndërrohemi. 53 Sepse, ky trup i shkatërrueshëm do të vishet me pashkatërrueshmërinë, dhe ky trup i vdekshëm, do të vishet me pavdekshmërinë. 54 Dhe, kur ky trup i shkatërrueshëm, të veshë pashkatërrueshmërinë dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë:

‘Vdekja u përpi në fitore.

55 O vdekje, ku është ngadhënjimi yt?

Ku është, o vdekje, thimthi yt?’

56 Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji.

57 Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtit, Zotit tonë.

58 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparoni vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi juaj nuk mbetet i pafrytshëm në Zotin.

Ndihmat për Kishën e Jerusalemit

1 e Korintasve: 16. Porositë e fundit dhe përshëndetjet

16

1 Për sa i përket mbledhjes së ndihmave për shenjtër bëni edhe ju si u kam urdhëruar kishave të Galacisë. 2 Të parën ditë të secilës javë, secili prej jush të ndajë sa të ketë mundur të kursejë, në mënyrë që të mos mblidhen vetëm kur të vij vetë. 3 Kur të vij do t’i dërgoj me letërpërcjellëse ata që ju t’i zgjidhni për ta çuar dhuratën tuaj në Jerusalem. 4 Po qe më mirë të shkoj edhe vetë, do të vijnë me mua.

Planet e veprimtarisë

5 Te ju do të vij posa ta kaloj Maqedoninë. Maqedoninë vetëm do ta përshkoj 6 e te ju dua të ndalem, ndoshta edhe të dimëroj, që ju të përgatitni sa më lypet për vazhdimin e udhëtimit tim. 7 Dhe, vërtet, nuk doja t’ju shoh vetëm në kalim. Në të vërtetë, shpresoj se, me ndihmë të Zotit, do të qëndroj për disa kohë në mesin tuaj. 8 Deri për Rrëshajë do të qëndroj në Efes, 9 pasi m’u dha rasti i mrekullueshëm të veproj e kundërshtarët janë të shumtë.

10 Nëse vjen te ju Timoteu, kujdesuni që të jetë pa frikë në mesin tuaj, sepse kryen, porsi unë, veprën e Zotit. 11 Askush, pra, të mos e përbuzë. Jepini çka i lypet për udhëtim e të vijë në paqe te unë, sepse e pres unë e vëllezërit.

12 Për sa i përket vëllait Apol, mjaft e nxita të vijë te ju me vëllezër, por kurrsesi nuk deshi të vinte tani, por do të vijë kur të ketë rast të volitshëm.

Porositë e fundit dhe përshëndetjet

13 Rrini zgjuar! Qëndroni të palëkundshëm në fe! Bëhuni burra! Jini të fortë! 14 Bëni gjithçka me dashuri!

15 Vëllezër, edhe një porosi: e dini se familja e Shtjefnës është fryti i parë i Akajës dhe se iu kushtua shërbimit të shenjtërve ‑ 16 nderojini të tillët dhe secilin që bashkëpunon dhe vepron për fe. 17 Jam shumë i kënaqur për ardhjen e Shtjefnës, të Fortunatit e të Ahaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj: 18 e qetësuan shpirtin tim dhe tuajin. Prandaj nderojini të tillët!

19 Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin së tepërmi në Zotin Akuila e Priska bashkë me kishën që bashkohet në shtëpinë e tyre. 20 Ju bëjnë të fala të gjithë vëllezërit. Përshëndeteni njëri‑tjetrin me puthje të shenjtë.

21 Të fala me dorën time ‑ Pali.

22 Kush nuk e do Jezu Krishtin, qoftë

mallkuar!

Maranà tha!

23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju!

24 Ju dua të gjithëve në Jezu Krishtin.