2 e Korintasve: 1. Adresa dhe përshëndetja

1

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit dhe vëllai Timote:

Kishës së Hyjit që është në Korint dhe të gjithë shenjtërve që janë në mbarë Akajën.

2 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.

Falënderimi i Palit për kryqat

3 Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. 4

Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. 5 Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh. 6 Nëse ne jemi të ngushtuar nga vështirësitë, kjo ndodh për ngushëllimin e për shëlbimin tuaj. Nëse jemi të ngushëlluar ‑ është për ngushëllimin tuaj ‑ i cili ju bën të zotët t’i duroni edhe ju ato vuajtje, që edhe ne i pësojmë. 7 Kështu shpresa jonë lidhur me ju është e palëkundshme: sepse e dimë se, pasi jeni pjesëtarë në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim.

8 Pra, nuk dëshirojmë, o vëllezër, të mos e dini vështirësinë që na ndodhi në Azi. Kemi qenë në vështirësi përtej masës ‑ përmbi fuqitë tona ‑ aq sa e humbëm edhe shpresën se do të mbetnim gjallë. 9 Por në vetvete e pranuam vendimin e vdekjes, që shpresa jonë të mos themelohej më në ne, por vetëm në Hyjin, që ngjall të vdekurit. 10 Ai na shpëtoi prej asaj vdekjeje dhe do të na shpëtojë; në Të e kemi vënë shpresën, Ai edhe më tutje do të na shpëtojë. 11 Po edhe ju do të na ndihmoni me lutje për ne që kështu shumë njerëz ta falënderojnë Hyjin për dhuratën që na u dha me ndërmjetësimin e shumë vetëve.

Përse Pali e shtyu vizitën

12 Dhe ja, kjo është mburrja jonë: dëshmia e ndërgjegjes sonë se sjellja jonë në botë ‑ sidomos kundrejt jush ‑ ka qenë me shenjtëri dhe me çiltëri që vjen prej Hyjit e jo me dijeni njerëzore, por me hir të Hyjit. 13 Vërtet, ne nuk shkruajmë asgjë tjetër, përveç këtyre që po lexoni e po kuptoni. Shpresoj se do të na merrni vesh deri në fund, 14 sikurse edhe na patët marrë vesh deri diku: Ditën e Zotit Jezus ne do të jemi mburrja juaj sikurse edhe ju mburrja jonë.

15 Me këtë mbushmendje bëra plan të vij më së pari te ju e, që ta keni hirin e dyfishtë, 16 prej jush të kaloja në Maqedoni e përsëri, nga Maqedonia, të kthehesha te ju, që ju të më përcillni për në Jude. 17 Kur mora këtë vendim, a thua ndoshta qeshë mendjelehtë? Ose, çka synoj e synoj sipas mendimit njerëzor që të jetë në mua: “Po, po” njëheri edhe: “Jo, jo”? 18 Hyjin e kam dëshmitar: fjala jonë dhënë juve nuk është: Po, e jo! 19 Sepse, Biri i Hyjit, Jezu Krishti, të cilin ne jua shpallëm ‑ unë, Silvani e Timoteu ‑ nuk ka qenë “Po e jo”, por në Të ishte “Po!” 20 Dhe, për të vërtetë, të gjitha premtimet e Hyjit kanë gjetur në të “po”‑në e vet, e prandaj nëpër Të edhe mund të themi: “Amen”, në nderë të Hyjit. 21 Dhe Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju dhe na shuguron me vaj të shenjtë është Hyji. 22 Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.

23 Unë e thërras Hyjin për dëshmitar: pasha shpirtin nuk erdha në Korint për arsye se desha t’ju kursej. 24 Ne nuk e përbuzim fenë tuaj, por jemi bashkëpunëtorë në gëzimin tuaj, sepse, për sa i përket fesë, ju qëndroni mirë.

2 e Korintasve: 2. Pali fal fyerjet

2

1 Prandaj vendosa në vetvete të mos vij prapë te ju me hidhërim. 2 Sepse, në qoftë se unë do t’ju trishtoj ju, kush do të më gëzojë mua, përveç ai që trishtohet prej meje? 3 Këndej edhe ju shkrova që, kur të vij, të mos ma prishin zemrën ata që duhet të më gëzojnë. E njëmend, jam i bindur për ju të gjithë, se gëzimi im është edhe gëzimi i të gjithë juve. 4 Prandaj ju shkrova në vështirësi të madhe e në ngushticë të zemrës e me shumë lot, jo për t’ju trishtuar, por që ta njihni dashurinë time tejet të madhe kundrejt jush.

Pali fal fyerjet

5 Nëse ndokush më ka trishtuar, nuk më ka trishtuar vetëm mua, por deri diku ‑ që të mos e teproj ‑ edhe ju të gjithë. 6 Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë prej bashkësisë e prandaj, 7 më mirë faleni e ngushëllojeni, që trishtimi i tepërt të mos e bëjë atë të sharrojë. 8 Këndej ju bëj lutje, të dëftoni dashuri kundrejt tij, 9 e për këtë arsye edhe ju shkrova që ta shoh a jeni me të vërtetë njerëz të sprovuar, a jeni të dëgjueshëm në çdo gjë. 10 Kë të falni ju, e fal edhe unë; sepse edhe unë, nëse fala ndokënd, e fala për dashurinë tuaj ‑ para Krishtit 11 që të mos ngadhënjejë mbi ne djalli, sepse i dimë qëllimet e tij!

Shqetësimet dhe ngushëllimet e Palit

12 Kur arrita në Troadë për të predikuar Ungjillin e Krishtit, edhe pse Zoti ma hapi dy krahësh derën e apostullimit, 13 nuk munda të kem qetësi në shpirt, pasi nuk e gjeta Titin, vëllain tim; për këtë arsye u përshëndeta me ta e shkova në Maqedoni.

14 Por, faleminderit Hyjit, i cili na nderon përherë me fitore në saje të Krishtit dhe përmes nesh shpërndan në çdo vend erën e këndshme të dijes së vet. 15 E njëmend, ne jemi për Hyjin era e këndshme e Krishtit, për ata që shëlbohen e për ata që dënohen, 16 për njërën palë era e vdekjes që shpie në vdekje e për palën tjetër era e jetës që shpie në jetë. E kush është i aftë për një mision të tillë? 17 Në të vërtetë nuk jemi si shumë të tjerë që po bëjnë tregti me fjalën e Hyjit, por flasim me çiltëri si njerëz të dërguar prej Hyjit, para Hyjit në Krishtin.

2 e Korintasve: 3. Shërbesa e Besëlidhjes së re

3

1 A thua përsëri po fillojmë ta porosisim vetveten? A thua kemi nevojë për letra porosie si disa për ju e prej jush? 2 Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, të cilën e njohin dhe e lexojnë të gjithë njerëzit! 3 Sepse ju e tregoni se jeni letra e shkruar prej Krishtit, të cilës ne i shërbyem, e shkruar jo me ngjyrë, por me Shpirtin e Hyjit të gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasa mishi të zemrës.

4 E kemi këtë bindje nëpër Krishtin në Hyjin, 5 jo, sikur të ishim vetë prej vetvetes të zotët të mendojmë gjë, por zotësia jonë e ka burimin në Hyjin. 6 Ai na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit; sepse shkronja vret e Shpirti jep jetën.

7 Tashti, nëse shërbesa e vdekjes e shkruar në rrasë guri, ka qenë aq e lavdishme, sa që bijtë e Izraelit nuk mundën të shikojnë në fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të kalueshëm të fytyrës së tij, 8 sa më e lavdishme do të jetë shërbesa e Shpirtit Shenjt? 9 E njëmend, nëse shërbesa e dënimit ka qenë e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme shërbesa e drejtësisë. 10 E vërtet, nën këtë pikëpamje, çka atëherë ishte e lavdishme, nuk është më, nëse krahasohet me lavdinë më të shkëlqyeshme. 11 Sepse, në qoftë se ajo që duhej të kalonte ishte e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme kjo që qëndron për amshim.

12 Të fortë, prandaj, prej një shprese të tillë, flasim haptas 13 e jo sikurse Moisiu, i cili vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm. 14

Porse u terratis mendja e tyre! E njëmend, edhe sot e kësaj dite e mbulon ai vel leximin e Besëlidhjes së vjetër: nuk u qe zbuluar se në Krishtin mori fund. 15 Por deri më sot, sa herë që lexohet Moisiu, një vel ua mbulon zemrën. 16 ‘Vetëm kur të kthehet Izraeli te Zoti do të hiqet veli.’ 17 Sepse Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria. 18 E ne të gjithë, të cilët, me fytyrë të zbuluar, bredhim lavdinë e Zotit, me anë të Shpirtit të Zotit, shndërrohemi në të njëjtën trajtë ‑ nga lavdia në lavdi.

2 e Korintasve: 4. Visari në enë argjile

4

1 E pasi Hyji, prej mirësisë së vet, na pajisi me këtë shërbesë hyjnore, këndej edhe nuk na lëshon zemra. 2 Përkundrazi, duke mos përdorur mënyra shtiarake turpëruese, duke mos jetuar me dinakëri, ne nuk e shtrembërojmë fjalën e Hyjit, por, përkundrazi, duke shfaqur të vërtetën, i porositemi çdo ndërgjegjeje të njerëzve para Hyjit. 3 E nëse, megjithatë, Ungjilli ynë mbetet i mbuluar, është i mbuluar vetëm për ata që dënohen, 4 për ata që nuk besojnë, të cilëve hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit që është figura e Hyjit. 5 Sepse ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorët tuaj për dashuri të Jezusit. 6 Sepse, Hyji që tha: “Prej errësirës le të shndrisë drita!”, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.

7 Por ne e mbajmë këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh. 8 Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar, 9 të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej‑këndej po, por jo të rrëzuar, 10 gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. 11 Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta. 13 E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, 14 sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. 15 E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri ‑ i shumëzuar ‑ të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

Jeta me fe

16 Prandaj, nuk e humbim guximin, por, edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita‑ditës përtërihet. 17 Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe. 18 Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, kurse gjërat që nuk shihen janë të përjetshme.

2 e Korintasve: 5. Shërbesa e pajtimit

5

1 Sepse e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore ‑ kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut. 2 Ne në këtë banesë dënesim e dëshirojmë përmbi të ta veshim banesën tonë qiellore, 3 merret vesh, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur. 4 Sepse ne që gjendemi në këtë tendë dënesim porsi nën barrë të rëndë meqë nuk dëshirojmë të zhveshemi, por të veshemi mbi të me një tjetër që kështu jeta ta përpijë atë që është e vdekshme. 5 E Ai që na krijoi për këtë qëllim është Hyji, i cili na dha kaparin ‑ Shpirtin Shenjt.

6 Kështu, pra, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se derisa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; 7 sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. 8 Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. 9 Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tonë, qoftë edhe duke e lënë atë, 10 sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.

Shërbesa e pajtimit

11 Pra, duke e njohur frikën e Zotit, bëjmë çmosin për t’i bindur njerëzit. Plotësisht na njeh Hyji e shpresojmë se na njohin edhe ndërgjegjet tuaja. 12 Nuk po e porosisim përsëri vetveten te ju, por duam t’ju japim rast të mburreni me ne, në mënyrë që të keni çka t’u përgjigjeni atyre që mburren me bukurinë e fytyrës e jo të zemrës. 13 Dhe njëmend, nëse jemi “jashtë mendsh” ‑ jemi për Hyjin, e nëse jemi “ndër mend” ‑ jemi për ju. 14 Sepse dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; 15 e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.

16 Kështu, pra, që tani nuk njohim më askënd në mënyrën thjesht njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. 17 Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! 18 Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. 19 Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. 20 Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin! 21 Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.

2 e Korintasve: 6. Tempulli i Hyjit të gjallë

6

1 Pasi jemi bashkëpunëtorë me Të, ne ju nxisim: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit! 2 Ai thotë:

‘Në kohë të volitshme të vështrova,

në ditë të shpëtimit të ndihmova.’

Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!

3 Ne nuk i japim askujt shkandull në mënyrë që të mos poshtërohet shërbesa jonë. 4 Përkundrazi, në çdo gjë e dëftojmë veten si mbarështues të Hyjit

me qëndresë të madhe

në vështirësi,

në nevoja,

në ngushtica,

5 në të rrahura,

në burgje,

në kryengritje,

në mund,

në të ndenjura zgjuar,

në agjërime,

6 në pastërti,

në dije,

me zemërgjerësi,

me mirësi,

në Shpirtin Shenjt,

në dashuri të çiltër,

7 me fjalë të vërtetë,

me fuqi të Hyjit,

duke sulmuar e duke u mbrojtur

vetëm me armë të drejtësisë,

8 me lavdi e me çnderim,

me zë të mirë e me zë të keq,

të mbajtur për gënjeshtarë e, pra, të vërtetë,

9 si të panjohur e, pra, të njohur mirë,

si ata që janë duke vdekur e, pra, jetojmë,

porsi të ndëshkuar, por jo të vrarë,

10 porsi të trishtuar e përkundrazi gjithmonë të gëzuar,

porsi skamnorë e pra, bëjmë të pasur shumë,

si ata që nuk kanë kurrgjë e kemi gjithçka!

11 Goja jonë, o korintianë, nuk ju fshehu asgjë, zemra jonë për ju është plotësisht e hapur. 12 Keni, pra, mjaft vend në zemrën tonë, por zemra juaj është e ngushtë. 13 Ma shpërbleni edhe ju ‑ flas porsi me fëmijët e mi ‑ hapeni edhe ju plotësisht zemrën tuaj!

Tempulli i Hyjit të gjallë

14 Mos u zini në zgjedhë me të pafetë! Çfarë të mire të përbashkët mund të ketë drejtësia me mbrapshtinë? Ose, çka ka të përbashkët drita me terrin? 15 Çfarë përkimi ka Krishti me Beliarin? Ç’pjesë ka besimtari me të pafenë? 16 E ç’marrëveshje mund të ketë Tempulli i Hyjit me idhuj? Sepse, ne jemi Tempulli i Hyjit të gjallë, siç tha vetë Hyji:

‘Do të banoj në ta e ndër ta do të ec,

do të jem Hyji i tyre

dhe ata populli im.

17 Prandaj, dilni prej rrethit të tyre

dhe rrini në vete, thotë Zoti,

e mos prekni asgjë të papastër,

dhe unë do t’ju pranoj.

18 Do të jem Ati juaj

e ju do të jeni bijtë e mi dhe bijat,

thotë Hyji, i Gjithëpushtetshmi.’

2 e Korintasve: 7. Gëzimi i Palit për arsye të pendimit të korintianëve

7

1 Pasi ne i kemi këto premtime të pastrohemi, o të dashurit e mi, nga çdo ndyrësi e trupit dhe e shpirtit e ta përfundojmë shenjtërimin tonë në frikën e Hyjit.

Gëzimi i Palit për arsye të pendimit të korintianëve

2 Na bëni vend në zemrat tuaja! Askujt nuk i bëmë padrejtësi, askënd nuk dëmtuam, askënd nuk shfrytëzuam! 3 S’po jua them këtë për t’ju dënuar, sepse ju thashë se jeni në zemrën tonë dhe se vdesim e jetojmë së bashku. 4 E madhe është shpresa ime në ju, e madhe është mburrja ime në ju, jam plot ngushëllim; sepse, edhe me ngushticën tonë, prapë gëzimi ynë nuk ka masë.

5 Dhe njëmend, edhe kur erdhëm në Maqedoni, ne të shkretët nuk patëm aspak kohë paqeje; gjithkah na kishin rrethuar vështirësitë ‑ jashtë luftimet e brenda frika.

6 Por Hyji, ngushëlluesi i të përvuajturve, na ngushëlloi me ardhjen e Titit. 7 Por jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që pati prej jush: na njoftoi për dëshirën tuaj të gjallë, për lotët, për dashurinë e flaktë tuajën ndaj meje, gjë që më dha një gëzim edhe më të madh.

8 Dhe njëmend, edhe nëse ju kam trishtuar me anë të asaj letre, tani nuk më vjen keq... edhe pse më ka ardhur keq [po shoh se ajo letër ju ka trishtuar së paku edhe për një moment] ‑ 9 tani gëzohem, jo pse u trishtuat, por për kthimin që trishtimi ju prodhoi. E njëmend, trishtimi juaj qe sipas Hyjit, kështu që prej anës sonë nuk pësuat farë dëmi. 10 Sepse trishtimi sipas Hyjit prodhon kthimin që sjell shëlbimin e nuk tërhiqet më prapa; kurse trishtimi sipas shekullit, sjell vdekjen. 11 Shikoni, pra, çka prodhoi trishtimi sipas udhës së Hyjit:

ç’kujdes,

ç’shfajësim,

ç’zemërim,

ç’frikë,

ç’dëshirë,

ç’zell,

ç’ndëshkim!

Në çdo pikëpamje e dëshmuat se jeni të pastër në këtë punë. 12 Nëse, pra, ju kam shkruar, nuk e bëra këtë gjë për arsye të fyesit e as të të fyerit, por që ju të bëheni të vetëdijshëm para vetvetes se sa kujdes keni për ne para Hyjit. 13 Ja, pra, pse u ngushëlluam!

E përveç këtij ngushëllimi, u gëzuam pa masë edhe për ngushëllimin e Titit, pasi ju të gjithë e përtëritët shpirtin e tij. 14 E vërtet, nëse u mburra ndopak për ju në sy të Titit, nuk u turpërova, porse, sikurse juve ju kemi folur të vërtetën, kështu u vërtetua edhe mburrja jonë para Titit. 15 Zemra e tij gjithnjë e më tepër ndizet në dashuri kundrejt jush, kur i kujtohet dëgjesa e të gjithë juve, se me ç’kujdes e nderim të bindshëm e pritët. 16 Jam shumë i kënaqur që për gjithçka mund të llogaris në ju!

2 e Korintasve: 8. Dhurata me zemërgjerësi

8

1 Tani, o vëllezër, dëshirojmë t’ju tregojmë hirin e Hyjit që u qe dhënë kishave të Maqedonisë: 2 si me gjithë vështirësitë e shumta e nevojat, gëzimi i tyre është i madh dhe si varfëria e tyre e tepërt erdhën e u zbrazën në visarin e fisnikërisë. 3 Them të vërtetën: ata vullnetarisht sipas mundësisë, dhe madje përtej mundësisë, 4 na u lutën me gjithë shpirt ta kenë hirin të marrin pjesë në këtë shërbesë në dobi të shenjtërve. 5 Madje, jo ashtu si shpresuam, por më së pari veten ia falën Zotit e, pastaj, edhe neve, sipas vullnetit të Hyjit. 6 Atëherë i bëmë lutje Titit që, sikurse filloi, ta kryejë ndër ju këtë vepër bujarie.

7 Prandaj, sikurse edhe në çdo gjë tjetër dalloheni në shenjë ‑ në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj nesh ‑ dallohuni edhe në këtë bujari!

8 Nuk po ju urdhëroj, por, duke ju treguar kujdesin e të tjerëve, ju jap mundësinë ta tregoni vërtetësinë e dashurisë suaj. 9 Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. 10 Me kaq vetëm po ju këshilloj: vërtet ju ka hije juve, të cilët vitin e shkuar filluat të parët, jo vetëm ta realizoni, por edhe të kërkoni që të bëhet. 11 Tani, pra, çojeni deri në fund këtë vepër që, sikurse qetë gati ta propozoni, ashtu edhe ta plotësoni sipas mundësisë. 12 Sepse, në qoftë vullneti i gatshëm, është i pëlqyeshëm për aq sa ka, e nuk merret parasysh për çka s’ka. 13 Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e të tjerëve t’u lehtësohet, por ‑ për një lloj barazimi. 14 Në këtë rast ‑ çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj ‑ që të bëhet barazi, 15 siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Asgjë nuk i teproi atij që bashkoi shumë,

dhe asgjë nuk i mungoi atij që bashkoi pak.’

Titi dhe shokët e tij

16 Faleminderit Hyjit që ia dha Titit në zemër gjithë atë kujdes për ju! 17 Ai e pranoi lutjen tonë e, ngaqë ishte shumë i zellshëm, erdhi vullnetarisht te ju. 18 Me të dërguam edhe vëllain, të cilin për shkak të Ungjillit e nderojnë të gjitha kishat. 19 Madje ai qe zgjedhur prej anës së kishave të jetë shoku ynë në këtë veprimtari bujarie, të cilës po i shërbejmë në lavdi të [vetë] Zotit tonë dhe për të çuar në vend qëllimin tonë të mirë, 20 që të mund t’u shpëtojmë kritikave rreth këtyre ndihmave të mëdha, 21 sepse na duhet të kujdesemi jo vetëm për atë që është e mirë para Hyjit, por edhe para njerëzve. 22 Me ta po e dërgojmë edhe vëllain tonë, zellin e të cilit e kemi sprovuar në shumë raste, e tani po e dëfton edhe shumë më të madh për arsye të shpresës së madhe që ka në ju. 23 Për sa i përket Titit, ai është shoku im dhe bashkëpunëtori im ndër ju. Për sa i përket vëllezërve, ata janë të dërguarit e kishave ‑ nderi i Krishtit. 24 Tregojuani pra, atyre dëshminë e dashurisë suaj faqe kishave, si edhe se ne me të drejtë mburremi për ju.

2 e Korintasve: 9. Këshilla të tjera lidhur me mbledhjen e ndihmave

9

1 Lidhur me ndihmat në dobi të shenjtërve s’është nevoja t’ju shkruaj më gjatë. 2 Vërtet, e di gatishmërinë tuaj, për të cilën mburrem para maqedonasve: “Akaja është gati që vitin e shkuar!” Dhe gatishmëria juaj nxiti shumë të tjerë. 3 Megjithatë po i dërgoj vëllezërit që të mos hidhet poshtë në këtë pikëpamje mburrja jonë për ju, që të jeni të gatshëm, siç kam thënë që 4 ‑ nëse me mua vijnë maqedonas e ju gjejnë të papërgatitur, të mos koritemi ne ‑ për të mos thënë ju ‑ pikërisht në këtë gjë, me të cilën u mburrëm. 5 Prandaj, e kam çmuar për detyrë t’i dërgoj përpara vëllezërit që ta bëjnë gati dhuratën tuaj të premtuar që më parë e të jetë gati ‑ si dhuratë bujarie e jo koprracie.

6 Sepse:

“Kush mbjell me horrjati, pak do të korrë,

e kush mbjell me begati, me begati do të korrë.”

7 Secili le të japë aq sa ia do zemra, jo i trishtuar e përdhuni, sepse: ‘Hyji e do atë që jep me gëzim.’ 8 Hyji mund t’ju dhurojë çdo të mirë që gjithmonë të keni gjithçka mjaft për vete e t’ju teprojë gjithnjë për të ndihmuar çdo vepër të mirë, 9 siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘Ai ndan me bujari, u jep skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në amshim.’

10 Ai që mbjellësit i jep farën, ai do t’i japë edhe bukën për ushqim. Ai edhe juve do t’ju japë farë e do ta shumëzojë dhe do të bëjë të rriten frytet e drejtësisë suaj. 11 Kështu do të pasuroheni me çdo bujari, e cila me ndërmjetësinë tonë do ta lartësojë te Hyji himnin e falënderimit, 12 sepse kjo shërbesë ndihme nuk vlen vetëm për të përmbushur nevojat e shenjtërve, por edhe është plot falënderime të shumta ndaj Hyjit. 13 Besimtarët, duke e parë ndihmën tuaj, do ta lavdërojnë Hyjin për bindjen tuaj kundrejt Ungjillit të Krishtit dhe për bujarinë tuaj, me të cilën merrni pjesë me ta e me të gjithë. 14 Ata do të luten për ju e do ta tregojnë dashurinë e madhe ndaj jush për arsye të begatisë së hirit që Hyji ka ndikuar në ju. 15 Lavdi Hyjit për dhuratën e tij të patregueshme!

2 e Korintasve: 10. Pali mbron misionin e vet

10

1 Personalisht unë Pali ju përbej me butësinë e me mirësinë e Krishtit ‑ unë që, kur jam para syve tuaj, jam “i butë”, por, kur jam larg jush, jam “plot guxim”, 2 ju bëj lutje, që kur të vij te ju të mos jem i ashpër me atë guxim, me të cilin dua të tregohem kundër atyre që mendojnë se ne jetojmë sipas parimeve të mishit. 3 Në të vërtetë, edhe pse jetojmë në trup, nuk luftojmë sipas parimeve të trupit, 4

‑ sepse, armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore, por armë të fuqisë së Hyjit të afta të shkatërrojnë kështjellat ‑ ne rrëzojmë e hedhim për dhe sofizmat e njerëzve 5 si edhe çdo krenari që ngritet kundër pranimit të Hyjit e përkulim çdo njeri të arsyeshëm në dëgjesë ndaj Krishtit 6 dhe jemi të gatshëm të ndëshkojmë çdo padëgjesë kur të përsoset dëgjesa juaj.

7 Vërejini gjërat ashtu si janë: nëse ndokush është i mbushur mendjeje se është i Krishtit, edhe një herë le ta mendojë në vete këtë gjë: sikurse ai është i “Krishtit” ‑ ashtu edhe ne jemi. 8 Po edhe nëse do të lëvdohesha pak tepër, për pushtetin që Zoti na e ka dhënë për ndërtimin tuaj ‑ e jo për rrënimin ‑ nuk do të kisha përse të skuqem. 9 Megjithatë, nuk dëshiroj të duket sikur ju shtie frikën me letrat e mia! 10 Sepse: “Letrat e tij ‑ thuhet ‑ janë plot rreptësi e fuqi, kurse prania e tij me trup e dobët e fjalë të pavlera.” 11 Le ta dijë mirë ai njeri se, siç jemi në fjalë me letra prej së largu, ashtu do të jemi të fuqishëm edhe me vepra, kur të vijmë atje.

12 Ne njëmend, nuk kemi guxim të barazohemi ose të krahasohemi me disa, të cilët e porosisin vetveten, porse, pasi ata vetveten e masin me vetvete dhe e krahasojnë vetveten me vete ‑ nuk duket se janë të mençur. 13 Ne, përkundrazi, nuk do të lëvdohemi përtej masës, por me kufi, sipas masës me të cilën na e mati Hyji porsi masë, duke na mundësuar që të arrijmë te ju. 14 Sepse, ne nuk kërkojmë përtej asaj që na përket, thuajse nuk kemi arritur deri te ju. Pra, në të vërtetë, ne kemi mbërritur me Ungjillin e Krishtit më të parët te ju! 15 Nuk po lëvdohemi përtej masës, me frytet e huaja, por shpresojmë se, me rritjen e fesë suaj në ju ‑ sipas rregullës sonë do të na rritet përherë fusha e veprimtarisë: 16 madje edhe përtej kufijve tuaj do ta shpallim Ungjillin, e jo të lëvdohemi me atë që u krye në fushën e veprimtarisë së të tjerëve. 17 ‘Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin!’

18 Sepse nuk është i sprovuar ai që e porosit vetveten, por ai të cilin e porosit Zoti.

2 e Korintasve: 11. Pali dhe apostujt e rrejshëm

11

1 Oh, po të mund ta duroni pakëz marrinë time!

Vërtet, më duroni! 2 Juve jua kam smirë, por me smirë që vjen prej Hyjit. Sepse, ju fejova për një burrë të vetëm dhe, porsi virgjëreshë të pastër, ju solla para Krishtit. 3

Porse, po kam frikë se ‑ sikur gjarpri me dinakërinë e vet e gënjeu Evën ‑ mendimet tuaja të mos gabohen e të mos largohen prej thjeshtësisë (dhe pastërtisë) ndaj Krishtit. 4 E njëmend, nëse vjen dikush tjetër dhe ju shpall një Jezus tjetër ‑ të cilin ne nuk jua kemi predikuar, ose, nëse merrni një tjetër Shpirt, të cilin nuk e keni marrë, ose, një Ungjill tjetër, të cilin nuk e keni marrë ‑ atë e duroni fort mirë! 5 E pra, unë mendoj se nuk jam në asgjë më i vogël se këta “kryeapostuj”! 6 Sepse, edhe në qofsha i paaftë në gojtari, nuk jam në dije: këtë, përkundrazi, në çdo pikëpamje dhe para të gjithëve jua vërtetuam.

7 A mos bëra ndoshta faj pse e përvujtërova veten për t’ju lartësuar ju, duke jua predikuar falas Ungjillin e Hyjit? 8 I ropa kishat e tjera duke marrë prej tyre sa më duhej për jetesë për t’ju shërbyer juve. 9 Po edhe kur isha në mesin tuaj e isha në nevojë, askënd prej jush nuk e rëndova, sepse vëllezërit që erdhën nga Maqedonia më ndihmuan për nevojat e mia. Në gjithçka jam ruajtur ‑ e do të ruhem ‑ që të mos ju bëhem barrë. 10 Pasha të vërtetën e Krishtit që është në mua, s’ka lindur ai njeri që do të ma marrë këtë nder në Akajë! 11 Përse? Ndoshta pse nuk ju dua? Vetëm një Hyj e di!

12 E çka bëj, prapë do të vazhdoj ta bëj, që t’ua heq dore shkakun atyre që kërkojnë edhe vetëm një arsye të maten me ne në atë gjë, për të cilën lëvdohen. 13 Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjyes, që shtihen si apostuj të Krishtit. 14 Dhe nuk keni pse të çuditeni. 15 S’keni, pra, pse të çuditeni në qoftë se edhe punëtorët e tij marrin dukjen e jashtme të punëtorëve të drejtësisë. Mbarimi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.

Vuajtjet e Palit si apostull

16 Po e përsëris që askush të mos mendojë se jam i marrë. Por, ani, më mbani për pak kohë edhe për të marrë, që edhe unë të mund të lëvdohem pakëz! 17 ‑ Çka po them tani, nuk po e them si e thotë Zoti, por sikurse të më kishte lënë mendja: në guximin e tepruar të krenarisë! 18 Pasi shumëkush krenohet nga ndonjë pikëpamje njerëzore, po lëvdohem edhe unë. 19 E, pasi ju jeni të urtë, lehtë i duroni të marrët! 20 Jo po, ju duroni nëse ndokush ju robëron, nëse ndokush ju shfrytëzon, nëse ndokush ju grabit, nëse ndokush ju qëllon me shputa! 21 Flas për turpin tonë: kemi qenë kinse të ligshtë!

Megjithatë, për çkado që ndokush ka guxim të lëvdohet ‑ po flas si i marrë ‑ kam guxim edhe vetë!

22 A janë hebrenj? ‑ Jam edhe unë!

A janë izraelitë? ‑ Jam edhe unë!

A janë pasardhës të Abrahamit? ‑ Jam edhe unë!

23 A janë mbarështues të Krishtit? ‑ Si i dalë mendsh po flas: ‑ unë edhe më tepër!

Në lodhje ‑ më tepër!

Në burgje ‑ më tepër!

Në të rrahura ‑ më tepër!

Në rrezik të vdekjes ‑ unë më shpesh!

24 Prej judenjve mora pesë herë nga tridhjetë e nëntë frushkuj!

25 Tri herë kam qenë rrahur me thupër,

një herë vrarë me gurë,

tri herë e kam përjetuar anijembytjen,

një natë e një ditë kam kaluar në valët e detit!

26 Në udhëtime të shpeshta,

në rreziqe lumenjsh,

në rreziqe cubash,

në rreziqe bashkatdhetarësh,

në rreziqe paganësh,

në rreziqe në qytet,

në rreziqe në shkretëtirë,

në rreziqe në det,

në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!

27 Në mundim e të lodhura,

në net të kaluara shpesh pa gjumë,

në uri e në etje,

në agjërime të shpeshta,

në të ftohtë dhe i zhveshur!

28 Përveç këtyre: ngarendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.

29 Kush është i dobët, e unë të mos bëhem i dobët?

Kush shkandullohet, e unë të mos përvëlohem?

30 Nëse duhet të lëvdohem ‑ do të lëvdohem me ligshtitë e mia. 31 Hyji, Ati i Zotit tonë Jezusit, ‑ qoftë bekuar në amshim ‑ Ai e di se nuk gënjej. 32

Në Damask, qeveritari i mbretit Aret, e ruante qytetin e Damaskut për të më zënë. 33 Porse, nëpër dritare, në një shportë, më ulën nëpër mur dhe u shpëtova duarve të tij.

2 e Korintasve: 12. Vegime dhe zbulesa që pati Pali

12

1 Duhet të krenohem!? Punë kote! Pra, po ia nisi me vegime e zbulesa të Zotit. 2 E njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh ‑ a ishte në trupin e vet: nuk e di; a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ ky njeri qe ngritur në të tretin qiell. 3 Dhe e di se ky njeri ‑ a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di ‑ e di Hyji ‑ 4 ka qenë ngritur në parajsë dhe ka dëgjuar fjalë të patregueshme, të cilat njeriu nuk guxon t’i përsëritë. 5 Për atë njeri të tillë do të krenohem e jo për vetvete nuk do të lëvdohem, përveç me ligështi (të mia). 6 Vërtet, po edhe të më mbushej mendja të lëvdohem, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën. Por nuk e bëj që ndokush të mos mendojë për mua më shumë se ç’sheh në mua ose ç’dëgjon prej meje.

7 Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë ‑ engjëlli i djallit ‑ për të më rrahur që të mos krenohem. 8 Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. 9 Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.

10 Prandaj kënaqem

në ligështi,

në sharje,

në vështirësi,

në salvime e ngushtica

që më bëhen për shkak të Krishtit!

Sepse, kur jam i ligshtë ‑ atëherë jam i fortë.

Kujdesi i Palit për kishën e Korintit

11 U bëra i marrë! Por ju më ngacmuat! E pra, u desh që ju të më porositni, sepse në asgjë nuk jam më i vogël se “kryeapostujt”, edhe pse nuk jam asgjë. 12 E pra, shenjat dalluese të apostullit u vërtetuan ndër ju: duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme. 13 Dhe, njëmend, në çka mbetët pas kishave të tjera, përveç se unë nuk u bëra barrë për ju? Ma falni këtë “padrejtësi!”

14 Dhe, ja, tani jam gati të vij te ju për të tretën herë dhe nuk do t’ju bëhem barrë, sepse unë nuk e kërkoj pasurinë tuaj, por ju. Sepse fëmijët nuk janë të detyruar të fitojnë për prindër, por, përkundrazi, prindërit për fëmijët. 15 E unë me gëzim do të shpenzoj e do të shpenzohem për shpirtrat tuaj. Por, a thua, nëse ju dua më fort, do të duhem prej jush më pak? 16 Ani, në dashtë! Unë nuk u bëra barrë për ju, por kështu si jam “dinak”, ju zura ju me “dredhi”. 17 A thua ndoshta ju shfrytëzova me anë të atyre që i dërgova te ju? 18 Unë iu luta Titit dhe e dërgova bashkë me një vëlla. A mos ju shfrytëzoi Titi? A thua nuk ecëm të njëjtës udhë? A thua jo të njëjtave gjurmë?

19 Ndoshta kaherë mendoni se po mbrohemi para jush? Jo, por po flasim para Hyjit në Krishtin: të gjitha këto i thamë për ndërtimin tuaj, o fort të dashur! 20 Sepse trembem të mos ju gjej ndoshta, kur të vij, ashtu si dëshiroj t’ju gjej dhe se ju do të më gjeni ashtu sikurse ju nuk do të dëshironit: që rastësisht të mos ketë grindje, smirë, zemërime, rivalitete, të përfolura, spiunime, krenari, kryengritje; 21 që, përsëri, kur të vij ndër ju, Hyji im të mos më përvujtërojë e të më duhet të qaj për shumë prej atyre që mëkatuan që përpara e nuk iu larguan fëlligështisë, ndyrësisë e shfrenisë që bënë.

2 e Korintasve: 13. Qortimet e fundit dhe përshëndetjet

13

1 Është e treta herë që dua të vij te ju.

“Çdo gjë do të vendoset sipas fjalëve të dy ose tre dëshmitarëve.” 2 Kur isha te ju, herën e dytë, u pata thënë atyre që kanë mëkatuar dhe të gjithë të tjerëve ‑ po jua them edhe tani që jam larg jush ‑ po jua rithem që përpara: nëse do të vij prapë, nuk do t’ju kursej. 3 Sepse ju kërkoni provën se në mua flet Krishti, i cili kundrejt jush nuk është i pafuqi, por i plotfuqishëm në ju. 4 Vërtet, ai qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit për ju.

5 Shqyrtoni mirë vetveten! Shihni a jeni në fe! Kontrolloni vetveten! A thua ndoshta nuk e njihni vetveten se Krishti Jezus është në ju? Nëse jo, atëherë nuk jeni besimtarë të vërtetë! 6 Shpresoj se do të shihni se ne jemi të vërtetë. 7 E tani ne i lutemi Hyjit që ju të mos bëni kurrnjë të keqe; jo, pra, që ne të dalim të drejtë, por që ju të bëni të mirën; ani se mendimi ynë del i gabueshëm. 8 Sepse kurrgjë nuk mund të bëjmë kundër së vërtetës: pushteti ynë është vetëm në dobi të së vërtetës. 9 Po, po, ne gëzohemi kur jemi të ligshtë e ju të fortë. Prandaj edhe lutemi që ju të bëheni të përsosur. 10 Ja, pra, pse larg jush ju shkruaj kështu, me qëllim që, kur të gjendem pranë, të mos më duhet ta përdor me ashpërsi pushtetin që Zoti më dha për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.

11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni së përmirësuari! Ngushëllohuni dhe jini në përkim me njëri-tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.

12 Përshëndeteni njëri‑tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit.

13 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë.