1 i Mbretërve: 1. Pleqëria e Davidit dhe fitmet e Adonisë

1

1 Mbreti David ishte plakur dhe kishte kaluar në moshë shumë të thellë: megjithëse mbulohej trashë, nuk mund të nxehej. 2 Shërbëtorët e tij i thanë: “Le të kërkohet për Zotërinë tonë, mbretin, një vajzë e re virgjër që të qëndrojë me mbretin, të kujdeset për të: le të flejë në gjiun tënd e do ta nxehë zotërinë tonë, mbretin”. 3 Kështu pra, kërkuan në mbarë tokën e Izraelit një vajzë të bukur, e gjetën Abisagën sunamite dhe e prunë te mbreti. 4 Vajza ishte vërtet shumë e bukur e kujdesej për mbretin dhe i shërbente. Por mbreti nuk e njohu.

5 Tashti Adonia, biri i Hagitës, çoi kokën e thoshte: “Unë do të mbretëroj”! Fitoi karrocë e kuaj dhe pesëdhjetë burra që shkonin para tij. 6 Dhe i ati asnjëherë nuk e qortoi e nuk i tha: “Pse po bën ashtu”? Edhe ky ishte shumë i pashëm dhe kishte lindur pas Absalomit. 7 Ishte marrë vesh me Joabin, birin e Sarvisë, dhe me Abiatarin prift, të cilët e përkrahnin Adoninë. 8 Kurse Sadoku prift, Benaja, biri i Jojadës, Natani profet, Semei, Rei dhe trimat e zgjedhur të rojës trupore të Davidit nuk ishin me Adoninë. 9 Një ditë Adonia flijoi dele e viça të majmë te guri Zohelet, që është afër burimit Rogel, i grishi të gjithë vëllezërit e vet, bijtë e mbretit, dhe të gjithë burrat e Judës që ishin në shërbim të mbretit, 10 por nuk thirri Natanin profet, Banajën, as disa prej trimave, as Salomonin, vëllanë e vet.

Fitmet e Natanit e të Betsabesë

11 Atëherë Natani i tha Betsabesë, nënës së Salomonit: “A nuk dëgjove se u bë mbret Adonia, biri i Hagitës, dhe zotëria ynë Davidi nuk e di. 12 Tashti eja të të këshilloj si ta shpëtosh jetën tënde dhe jetën e djalit tënd Salomonit. 13 Shko e paraqitu te Davidi mbret dhe thuaj: ‘Zotëri mbret, a nuk m’u përbetove mua, shërbëtores sate, e nuk më the: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim’? Pse atëherë po mbretëron Adonia? 14 Dhe ndërkohë që ti ende do të jesh duke folur me mbretin, pas teje do të vij unë dhe do t’i vërtetoj fjalët e tua”.

15 Kështu, pra, Betsabeja hyri në dhomë te mbreti. Mbreti vërtet ishte plakur shumë dhe Abisaga sunamite i shërbente. 16 Betsabeja u përkul dhe ra përmbys para mbretit. Mbreti i tha: “Çka do”? 17 Ajo iu përgjigj: “Imzot! Ti iu përbetove në Zotin, Hyjin tënd, shërbëtores sate e the: ‘Salomoni, yt bir, do të mbretërojë pas meje dhe ai do të rrijë në fronin tim.’ 18 Por, ja, tani po mbretëron Adonia e ti, o mbreti im, nuk e di. 19 Ai preu qe, viça të majmë, dele të shumta dhe i grishi të gjithë bijtë e mbretit si dhe Abiatarin prift dhe Joabin, kryetarin e ushtrisë, por nuk e thirri Salomonin, shërbëtorin tënd. 20 Megjithëkëtë, imzot mbret, në ty i ka ngulur sytë e vet mbarë Izraeli që t’i dëftosh cili duhet të rrijë në fronin tënd, pas teje, imzot mbret! 2l Sepse, përndryshe, kur imzot mbreti të ketë pushuar përbri etërve të vet, unë dhe im bir Salomoni do të jemi fajtorë”.

22 Ajo ende po fliste me mbretin, dhe ja, ia behu Natani profet. 23 I lajmëruan mbretit e i thanë: “Këtu është Natani profet”. Pasi hyri te mbreti dhe pasi e nderoi duke u përkulur deri në tokë, 24 Natani i tha: “Imzot mbret, vallë ti paske urdhëruar: ‘Adonia le të mbretërojë pas meje dhe ai le të rrijë mbi fronin tim’? 25 Sepse ai sot zbriti dhe flijoi gjedhë, bagëti të majme e shumë desh. Thirri edhe të gjithë bijtë e mbretit, prijësit e ushtrisë, madje edhe priftin Abiatar dhe ata, duke ngrënë e duke pirë para tij, po bërtasin: ‘Rroftë mbreti Adoni’! 26 Porse mua, shërbëtorin tënd, dhe Sadokun prift, Banajën, birin e Jojadës, dhe Salomonin, shërbëtorin tënd, nuk na thirri. 27 A mos e ka dhënë këtë urdhër imzot mbreti e nuk më dëftove mua, shërbëtorit tënd, se cili do të rrijë mbi fronin e zotërisë tim mbretit pas tij”

Salomoni shënohet prej Davidit dhe shugurohet mbret

28 Atëherë u përgjigj Davidi mbret: “Thirreni Bersabenë të vijë këtu tek unë!” Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi para mbretit. 29 E mbreti u përbetua e tha: “Pasha Zotin e gjallë që e shpëtoi jetën time prej çdo ngushtimi, 30 se, sikurse të jam përbetuar në Zotin, Hyjin e Izraelit, kur të kam thënë: ‘Salomoni, biri yt, do të mbretërojë pas meje dhe se ai do të rrijë mbi fronin tim, në vend tim, sot do të bëj ashtu” !

31 Atëherë Betsabeja u përkul me fytyrë përdhe, i dha nderim mbretit David dhe tha: “Rroftë imzot mbreti për amshim” !

32 Atëherë Davidi mbret shtoi: “M’i thirrni këtu Sadokun prift, Natanin profet dhe Banajën, birin e Jojadës”.

Kur hynë ata te mbreti, 33 mbreti u tha: “Merrni shërbëtorët e zotërisë suaj me vete; Salomonin, tim bir, vëreni në mushkën time dhe çojeni në Gihon, 34 atje Sadoku prift dhe Natani profet le ta shugurojnë për mbret mbi Izraelin, bjeruni borive dhe shpalleni: ‘Rroftë Salomoni mbret’ ! 35 Pastaj ngjituni këtu me të, le të vijë e le të rrijë mbi fronin tim dhe ai le të sundojë në vendin tim. Unë dua që ai të jetë prijësi i Izraelit e i Judës”!

36 Benaja, biri i Jojadës, iu përgjigj mbretit e tha: “Amen! Kështu vendostë edhe Zoti, Hyji i zotërisë tim, mbretit. 37 Siç qe Zoti me zotërinë tim mbretin, po ashtu qoftë edhe me Salomonin dhe e lartësoftë fronin e tij edhe më tepër se fronin e zotërisë tim Davidit mbret”!

38 Zbriti, pra, Sadoku prift, Natani profet e Benaja, biri i Jojadës, e me ta edhe keretët e feletët; Salomonin e vunë mbi mushkën e Davidit mbret dhe e çuan në Gihon. 39 Sadoku prift e mori bririn e vajit prej Tendës dhe e leu Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe mbarë populli brohoriti: “Rroftë Salomoni mbret”! 40 Mbarë populli u ngjit pas tij duke u rënë fyejve dhe duke brohoritur me gëzim të madh: ushtoi mbarë vendi prej brohoritjeve të tyre.

Frika e Adonisë

41 Dëgjoi për këtë Adonia dhe të gjithë ata që kishin qenë grishur prej tij. Sa kishte marrë fund gostia. Edhe Joabi, kur e dëgjoi zërin e borisë, tha: “Ç’do të thotë kjo zhurmë e qytetit të zhurmitur”? 42 Ndërsa ai ende po fliste, ia behu Jonatani, biri i priftit Abiatar. Adonia i tha: “Hyr, sepse ti je burrë i mirë dhe sjell lajme të mira”.

43 Por Adonisë Jonatani iu përgjigj: “Assesi! Sepse zotëria ynë, mbreti David, e bëri Salo‑ monin mbret. 44 Dërgoi me të priftin Sadok, Natanin profet, Banajën, birin e Jojadës, keretët e feletët dhe e vunë mbi mushkën e mbretit. 45 Sadoku prift e Natani profet në Gihon e shuguruan për mbret. Prej andej u ngritën plot gëzim dhe qyteti ushtoi prej poteres: kjo është zhurma që dëgjuat. 46 Salomoni u ul në fronin e mbretërisë. 47 Hynë edhe shërbëtorët e mbretit dhe e bekuan zotërinë tonë mbretin David e i thanë: ‘Hyji e bëftë edhe më të madh emrin e Salomonit se emri yt dhe fronin e tij e bëftë më të madhërishëm se troni yt’! Dhe mbreti u përkul në shenjë nderimi mbi shtratin e vet. 48 Madje ai tha kështu: ‘ Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e dha sot atë që rri mbi fronin tim dhe që e panë sytë e mi’”.

49 I kapi, pra, frikë e madhe dhe u ngritën të gjithë ata që kishin qenë të grishur prej Adonisë, dhe secili shkoi në punë të vet. 50 Po edhe Adonia, prej frikës së Salomonit, u çua e shkoi dhe u kap për brirë të lterit.

51 E lajmëruan Salomonin dhe i thanë: “Ja, Adonia, prej frikës së Salomonit mbret, i ka kapur brirët e lterit e thotë: ‘Le të më betohet sot Salomoni mbret se nuk do ta presë me shpatë shërbëtorin e vet’”. 52 Salomoni u përgjigj: “Nëse do të sillet si burrë i ndershëm, asnjë fije floku nuk do t’i bjerë mbi tokë prej kokës së tij; por, në qoftë se në të do të gjendet ndonjë synim i keq, do të vdesë”.

53 Atëherë Salomoni mbret dërgoi njerëzit që e larguan prej lterit. Ai erdhi te Salomoni dhe iu përkul mbretit në shenjë nderimi. Salomoni i tha: “Shko në shtëpinë tënde”.

1 i Mbretërve: 2. Testamenti dhe vdekja e Davidit

2

1 Kur iu afrua dita e vdekjes, Davidi i urdhëroi birit të vet Salomonit. I tha: 2 “Unë po nisem për rrugën që do ta bëjnë të gjithë njerëzit mbi tokë. Ji i fortë dhe ji njeri! 3 Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh, 4 që Zoti ta çojë në vend fjalën që e ka folur kur m’u zotua: ‘Nëse bijtë e tu në jetën e tyre do të kujdesen që të ecin në praninë time me besnikëri me gjithë mend e zemër, mbi fronin e Izraelit do të rrijë gjithmonë njëri prej pasardhësve të tu’.

5 Edhe ti e di se çfarë më ka bërë mua Joabi, biri i Sarvisë, ç’u bëri dy prijësve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasës, birit të Jeterit, të cilët i vrau. E derdhi gjakun në kohë të paqes siç bëhet në luftë, dhe e njollosi me gjak lufte brezin që kishte rreth ijës së vet dhe sandalet që i kishte në këmbët e veta. 6 Vepro me zgjuarsi e mos lejo që thinjat e tija të zbresin në paqe në banesën e të vdekurve. 7 Përkundrazi, ndaj bijve të Bezelait galaadas, sillu me mirësi; le të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse ata m’u gjetën në ndihmë kur ikja prej vëllait tënd Absalomit. 8 Tek ti është Semei, biri i Gerës, beniaminas, prej Bahurimit. Ky më mallkoi me një mallkim të tmerrshëm, kur po shkoja në Mahanaim. Por, meqenëse zbriti tek Jordani për të më përshëndetur, prandaj unë iu përbetova në Zotin: ‘Unë nuk do të të vras me shpatë.’ 9 Por ti tani mos e lër të pandeshkuar mëkatin e tija. Ti e merr vesh vetë, se je i mençur e di si duhet të sillesh me të. Bëj të zbresin thinjat e tija në dhe me gjak”. 10 Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit. 11 Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.

Vdekja e Adonisë

12 Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babait të vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë. 13 Adonia, biri i Hagitës, shkoi te Betsabeja, nëna e Salomonit. Ajo i tha: “A është ardhja jote me qëllim paqeje?” Ai iu përgjigj: “Me qëllim paqeje”. 14 Dhe shtoi: “Kam diçka për të të thënë”. Ajo i tha: “Fol”! Ai vazhdoi: 15 “Ti e di se mua më ka takuar mbretëria dhe se mbarë Izraeli më kishte parashikuar për mbretin e vet, por tani mbretëria më shpëtoi prej dore dhe i takoi vëllait tim, sepse i qe dhënë prej Zotit. 16 Tani s’ kam veçse një lutje të vetme tek ti; ma plotëso të lutem”. Ajo i tha: “Fol”! 17 Ai vazhdoi: “Të lutem, i thuaj mbretit Salomon ‑ ai s’ mund të të mohojë ty asgjë ‑ të ma japë për grua Abisagën sunamite”. 18 Atëherë Betsabeja i tha: “Mirë, për ty do të flas me mbretin”.

19 Shkoi, pra, Betsabeja te Salomoni mbret për të biseduar me të për Adoninë. Mbreti u ngrit në këmbë dhe i doli para, e përshëndoshi dhe u ul të rrijë mbi fronin e vet. Urdhëroi atëherë që të vihet edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij. 20 Ajo i tha: “Kërkoj një nder të vogël prej teje, mos ma moho”. Mbreti iu përgjigj: “Kërko, nëna ime, se s’ ka hije të mos ta dëgjoj kërkesën”. 21 Ajo i tha: “A bën t’i jepet për grua Adonisë, vëllait tënd, Abisaga sunamite”? 22 Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së vet e i tha: “Pse e kërkon për Adoninë Abisagën sunamite? Kërkoje për të edhe mbretërinë! Pse a nuk e di ti se ai është vëllai im më i madh dhe e përkrah prifti Abiatar dhe Joabi, biri i Sarvisë?”. 23 Atëherë u përbetua Salomoni mbret në Zotin e tha: “More kështu e kështu ma bëftë Zoti mua e edhe më zi, nëse Adonia nuk e ka folur këtë fjalë sot në dëm të jetës së vet! 24 Pasha Zotin e gjallë, që më ka përforcuar dhe më ka vendosur mbi fronin e tim eti, Davidit, dhe që më ka dhënë të hyj në radhën mbretërore, ashtu sikurse ai vetë ka thënë: mu sot Adonia do të vritet”!

25 Dhe Salomoni mbret dërgoi Banajën, birin e Jojadës.

Ky e goditi dhe Adonia vdiq.

Fati i Abiatarit dhe i Joabit

26 Priftit Abiatar mbreti i urdhëroi: “Shko në pronën tënde në Anatot. E ke merituar vdekjen, por sot nuk po të vras, sepse e ke bartur Arkën e Zotit Hyj në praninë e babait tim Davidit dhe pse i ke duruar të gjitha të vështirat që i ka hequr edhe im atë”. 27 Kështu Salomoni përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit që të shkonte në vend fjala e Zotit, të cilën e tha për shtëpinë e Heliut në Silo.

28 Lajmi i shkoi në vesh Joabit. Joabi kishte marrë anën e Adonisë, megjithëse nuk e kishte përkrahur Absalomin. Atëherë iku në Tendën e Zotit dhe u kap për brirë të lterit. 29 E lajmëruan mbretin Salomon se Joabi kishte ikur në Tendën e Zotit dhe se ishte përbri lterit. Salomoni e dërgoi Banajën, birin e Jojadës e i urdhëroi: “Shko e vritie”! 30 Banaja shkoi në Tendën e Zotit e i tha: “Kështu thotë mbreti: ‘Dil jashtë’”! Ai u përgjigj: “S’dal jashtë, por do të vdes këtu”! Banaja i çoi mbretit fjalën e i tha: “Kështu foli Joabi dhe kështu m’u përgjigj”. 31 Mbreti i urdhëroi: “Bëj siç ka thënë: vritie e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së tim eti gjakun e pafajshëm që ka derdhur Joabi. 32 Zoti do të bëjë që gjaku i tij të bjerë mbi kokën e tij, sepse i ka vrarë dy njerëz të pafajshëm më të mirë se ai vetë; i preu me shpatë pa dijen e babait tim Davidit: Abnerin, birin e Nerit, prijësin e ushtrisë së Izraelit, dhe Amasën, birin e Jeterit, prijësin e ushtrisë së Judës. 33 Gjaku i tyre le të bjerë mbi kokën e Joabit dhe në kokën e pasardhësve të tij për amshim, kurse mbi Davidin, mbi trashëgiminë e tij, mbi shtëpinë mbretërore e mbi fronin e tij rëntë prej Zotit paqja e përhershme”.

34 Kështu Banaja, biri i Jojadës, shkoi, iu sul dhe e vrau.

Joabi u varros në shtëpinë e vet në shkretëtirë. 35 Në vend të tij mbreti prijës të ushtrisë e bëri Banajën, birin e Jojadës, e në vend të Abiatarit për prift vuri Sadokun.

Padëgjesa dhe vdekja e Semeit

36 Mbreti çoi dhe e thirri edhe Semein dhe i tha: “Ndërto për vete një shtëpi në Jerusalem dhe bano në të. Mos dil prej saj për të shkuar andej e këndej. 37 Atë ditë që të dalësh e ta kalosh përruan Cedron, dije mirë se do të vritesh: gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde”! 38 Semei iu përgjigj mbretit: “Urdhër me vend! Siç urdhëron zotëria im mbreti, ashtu do të bëjë shërbëtori yt”. Dhe Semei jetoi një kohë të gjatë në Jerusalem.

39 Pas tre vjetësh ndodhi që dy shërbëtorë të Semeit të iknin tek Akisi, biri i Maakës, mbreti i Getit. E lajmëruan Semein se shërbëtorët e tij ishin në Get. 40 Atëherë Semei u çua, e shaloi gomarin dhe shkoi në Get tek Akisi për t’i kërkuar skllevërit e vet dhe i mori prej Getit.

41 E njoftuan Salomonin se Semei kishte shkuar nga Jerusalemi në Get dhe se ishte kthyer. 42 Çoi dhe e thirri e i tha: “A nuk ta kam qitur për dëshmitar Zotin e nuk të kam njoftuar me kohë: ‘Atë ditë që të dalësh e të shkosh andej e këndej, dije se do të vritesh’? E ti m’u përgjigje: ‘Urdhër me vend: e kam marrë vesh.’ 43 Pse nuk e mbajte përbetimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kam dhënë”? 44 Mbreti pastaj i tha Semeit: “Ti i di mirë dhe s’ke pasur si t’i harrosh të gjitha të këqijat që i ke bërë tim eti, Davidit; Zoti po e kthen të keqen tënde mbi kokën tënde. 45 Kurse Salomoni mbret do të jetë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm për amshim para Zotit”.

46 Kështu mbreti i dha urdhër Banajës, birit të Jojadës. Ky doli, e goditi dhe Semei vdiq.

Kështu mbretëria vinte e bëhej përherë e më e fortë në dorën e Salomonit.

1 i Mbretërve: 3. Ëndrra në Gabaon

3

1 Salomoni lidhi krushqi me faraonin, mbre‑ tin e Egjiptit. U martua me bijën e faraonit dhe atë e vendosi në Qytetin e Davidit derisa të kryente së ndërtuari shtëpinë e vet, Tempullin e Zotit dhe murin rrethues të Jerusalemit.

2 Asokohe populli kushtonte fli ende në lartësira, sepse deri atëherë ende nuk ishte ndërtuar tempulli për nder të emrit të Zotit. 3 Salomoni e donte Zotin dhe jetonte sipas porosive që i kishte dhënë i ati, Davidi, me përjashtim se flijonte në lartësira dhe digjte temjan.

Ëndrra në Gabaon

4 Shkoi, pra, Salomoni në Gabaon për të flijuar atje. Atje ishte lartësira më me rëndësi. Salomoni aty, mbi atë lter kushtoi një mijë fli shkrumbimi.

5 Në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha : “Kërko çfarë do që të të jap unë”! 6 Salomoni tha: “Ti je sjellë me shërbëtorin tënd Davidin, babain tim, me besnikëri të madhe, sepse ai ka jetuar para syve të tu me besë, me drejtësi e me ndershmëri të zemrës së vet. Ti ia mbajte besën e bëre që mbi fronin e tij të rrijë djali i tij, siç është sot. 7 E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. 8 Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. 9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh”?

10 Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri 11 dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, 12 ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’ do ta ketë askush pas teje si ti. 13 Por edhe ato që ti nuk i kërkove, po t’ i jap unë, d. m. th. pasuri e lavdi saqë s’ ka për të qenë askush i ngjashëm me ty ndër mbretër gjatë gjithë jetës sate. 14 E në qoftë se ti do të ecësh udhëve të mia duke mbajtur ligjet e urdhërimet e mia, siç eci yt atë, Davidi, të shumta do t’i bëj edhe ditët e jetës satë”.

15 Salomonit i doli gjumi dhe e mori vesh se kishte qenë ëndërr. Kur u kthye në Jerusalem, qëndroi para Arkës së Besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi, kushtoi fli pajtimi dhe u bëri gosti të gjithë shërbëtorëve të vet.

Gjyqi i Salomonit

16 Pastaj erdhën dy lavire dhe qëndruan para tij. 17 Njëra prej tyre tha: “Me leje, imzot! Unë e kjo grua jetonim në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi fëmija pranë saj në shtëpi. 18 Të tretën ditën, pasi më lindi fëmija, lindi edhe kjo. Ishim së bashku dhe askush tjetër nuk ishte me ne në dhomë, përveç ne të dyjave. 19 Një natë kësaj i vdiq fëmija, sepse kishte rënë mbi të ndërsa po flinte. 20 Kjo u çua në pellg të natës, pa zhurmë e mori djalin tim nga gjiri im, i shërbëtores sate ndërsa isha fjetur dhe e vuri pranë vetes; kurse djalin e vet që kishte vdekur, e vendosi në gjirin tim. 21 Kur u ngrita në mëngjes për t’i dhënë fëmijës gji, pashë se ishte i vdekur. Por kur e shikova me kujdes në dritë të qartë, pashë se s’ishte fëmija që kisha lindur unë”.

22 Gruaja tjetër u përgjigj: “S’ është e vërtetë! Djali im është gjallë, kurse djali yt ka vdekur”! Kurse ajo tjetra thoshte: “Po gënjen! Djali yt ka vdekur, kurse imi është gjallë”!

Dhe kështu grindeshin para mbretit.

23 Atëherë mbreti tha: “Kjo po thotë: ‘Djali im është gjallë e djali yt ka vdekur’; kurse kjo tjetra po përgjigjet: ‘Jo! Por djali yt ka vdekur e im bir është gjallë’”. 24 Prandaj edhe mbreti tha: “Ma bini shpatën”! Kur e prunë shpatën para mbretit: 25 “Ndajeni ‑ tha ‑ foshnjën e gjallë në dy pjesë dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës”! 26 Porse gruaja, djali i së cilës ishte gjallë, sepse i theri nëzemër për djalin e vet ‑ i tha mbretit: “Po të lutem, zotëri, jepjani asaj foshnjën e gjallë dhe mos e vrisni”! Përkundrazi ajo tjetra thoshte: “As mua as asaj: le të ndahet”!

27 Atëherë mbreti u përgjigj e tha: “Jepjani kësaj foshnjën e gjallë e të mos vritet: kjo është nëna e saj”!

28 Mbarë Izraeli dëgjoi për pleqërinë që bëri mbreti dhe i dhanë nderim mbretit duke parë se kishte dijen e Hyjit për të ndarë drejtësinë.

1 i Mbretërve: 4. Zyrtarët e lartë të Salomonit

4

1 Mbreti Salomon ishte mbret mbi mbarë Izraelin. 2 Zyrtarët e tij të lartë ishin këta: Azaria, biri i Sadokut, ishte prift; 3 Elihorefi dhe Ahia, bijtë e Sisës, skribë; Jozafati, biri i Ahiludit, sekretar; 4 Banaja, biri i Jojadës, i parë mbi ushtrinë, kurse Sadoku e Abiatari, priftërinj; 5 Azaria i Natanit, në krye të qeveritarëve; Zabudi, biri i Natanit, prift dhe mik i mbretit; 6 kurse Ahisari, drejtor i oborrit mbretëror e Adonirami, biri i Abdës, përgjegjës i angarisë e i tatimeve.

Qeveritarët e Salomonit

7 Salomoni kishte në mbarë Izraelin dymbë‑ dhjetë qeveritarë, të cilët nozullonin mbretin dhe shtëpinë e tij: një muaj në vit secili prej tyre e pajiste mbretin me gjithçka kishte nevojë.

8 Dhe ja emrat e tyre:  

Benhuri në Malet e Efraimit;

9 Bendehari në Maces, në Salebim, në Betsames, në Elon e në Betanan;

10 Benhesedi në Arubot, atij i takonte Sokoja dhe mbarë toka Efer;

11 Benabinadabi, të cilit i përkiste mbarë krahina Dor; e kishte për grua Tafetin, bijën e Salomonit.

12 Bana, biri i Ahiludit, që sundonte Tanakun, Magedon dhe mbarë Betsanin, që është afër Sartanit, nën Jezrahelin, që nga Betsani e deri në Abelmehulë dhe deri përtej Jekmaamit; 

13 Bengaberi në Ramot të Galaadit i kishte fshatrat Jair, të birit të Manaseut në Galaad: ai ishte në krye të mbarë krahinës Argob, që është në Basan: në krye të gjashëdhjetë qyteteve të mëdha e të rrethuara me mure dhe me shula bronzi;

14 Ahinadabi, biri i Ados, ishte i parë në Mahanaim;

15 Akimaasi në Neftali. Edhe ky kishte bijën e Salomonit, Basematën, për grua.

16 Baana, biri i Husiut, në Aser e në Baalot;

17 Jozafati, biri i Faruehut, në Isahar;

18 Semei, biri i Elës, në Beniamin;

19 Gaberi, biri i Uriut, në tokën e Galaadit, në tokën e Sehonit, mbretit të amorrenjve dhe të Ogut, mbretit të Basanit.

Përkrye kësaj ishte edhe një qeveritar tjetër në Judë.

20 Juda e Izraeli ishin të panumërt, porsi rëra që është në bregun e detit me shumicë: hanin e pinin e gëzonin.

1 i Mbretërve: 5. Zëri i madh i Salomonit

5

1 Salomoni kishte nën sundim të gjitha mbretëritë prej Lumit deri në tokën e filistenjve e deri në kufij të Egjiptit. Ato i paguanin të dhjetat dhe i shërbenin Salomonit gjatë krejt jetës së tij. 2 Ushqimet e Salomonit ishin për çdo ditë: tridhjetë korë majë mielli dhe gjashtëdhjetë korë miell të rëndomtë, 3 dhjetë qe të majmë, njëzet qe nga kullota, njëqind dele, pa marrë parasysh kaprojtë, shutat, dhitë e egra, e shpendët e majmë. 4 Sepse ai sundonte mbarë krahinën që është përtej Lumit, prej Tafsës e deri në Gazë dhe të gjithë mbretërit e atyre krahinave. Ishte në paqe në kufijtë përreth. 5 Juda dhe mbarë Izraeli jetonte pa farë frike, secili nën hardhinë e vet e nën fikun e vet, prej Danit e deri në Bersabejë gjatë gjithë jetës së Salomonit. 6 Salomoni kishte dyzet mijë kuaj për karroca dhe dymbëdhjetë mijë për shalë. 7 Qeveritarët e lartpërmendur e nozullonin Salomonin mbret me gjithçka i lypej për tryezën e mbretit e të gjithë atyre që kishin pjesë në tryezën e tij, secili në muajin që i takonte. 8 Po ashtu edhe elb e ushqim për kuaj dhe gjedhë karroce sillnin në atë vend ku i ishte caktuar secilit.

Zëri i madh i Salomonit

9 Hyji i dha Salomonit edhe dije e urtësi të madhe shumë e mendje të gjerë porsi rëra që është në bregun e detit. 10 Urtësia e Salomonit ishte më e madhe se urtësia e të gjithë orientlëve e të gjithë egjiptianëve. 11 Ishte më i dijshëm se të gjithë njerëzit. Më i urtë se Etan Ezrahiti, se Hemani, Kalkoli e Dorda, bijtë e Maholit dhe përmendej ndër mbarë popujt përreth. 12 Salomoni ka thënë tri mijë fjalë të urta, kurse këngë të tija kishte një mijë e pesë. 13 Foli edhe për lëndë: që prej cedrit që është në Liban deri te hisopi që mbin në mur; ka folur për kafshë, për shpendë, për zvaranikë e për peshq. 14 Vinin prej të gjitha kombeve për të dëgjuar urtësinë e Salomonit, prej të gjithë mbretërve të botës që kishin dëgjuar për urtësinë e tij.

2. SALOMONI NDËRTIMTAR

Përgatitjet për ndërtimin e Tempullit

15 Hirami, mbreti i Tirit, dërgoi shërbëtorët e vet te Salomoni, sepse kishte dëgjuar se e kishin shuguruar mbret në vend të babait të vet. Hirami ka qenë gjithherë mik me Davidin. 16 Atëherë edhe Salomoni dërgoi për t’i thënë: 17 “Ti e di mirë se im atë Davidi nuk mundi të ndërtonte një shtëpi për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të tij, për shkak të luftërave të pandërprera përreth derisa Zoti bëri që armiqtë e tij t’i vinte nën thembrën e këmbëve të veta. 18 Por tani Zoti, Hyji im, më dha paqe gjithkund përreth: nuk kam kundërshtarë as ndonjë vështirësi të veçantë. 19 Për këtë arsye mendoj të ndërtoj një tempull për nder të Emrit të Zotit, Hyjit tim, ashtu siç i ka thënë Zoti Davidit, babait tim, kur i tha: ‘Biri yt, të cilin do ta vë mbi fronin tënd në vendin tënd, ai do ta ndërtojë tempullin për nder të Emrit tim’. 20 Prandaj jep urdhër që të presin për mua cedra të Libanit. Shërbëtorët e mi do të jenë me shërbëtorët e tu. Unë do t’i shpërblej shërbëtorët e tu ashtu si ta caktosh ti: sepse ti e di mirë se tek ne nuk ka njerëz që dinë të presin lëndë si sidonët”.

21 Kur dëgjoi Hirami fjalët e Salomonit, u gëzua shumë e tha: “Qoftë bekuar sot Zoti që i dha Davidit një djalë shumë të dijshëm për të sunduar një popull kaq të shumtë”. 22 Dhe Hirami dërgoi te Salomoni e tha: “E kam marrë vesh gjithçka më ke kërkuar. Po, unë do ta plotësoj dëshirën tënde lidhur me lëndën e cedrit e të bredhit. 23 Shërbëtorët e mi do t’i sjellin prej Libanit në det. Unë do t’i rregulloj në trap, do ta nis nëpër det deri në vendin që ta caktosh ti dhe do t’i qes aty e atëherë ti do t’i marrësh. Prej anës sate dëshiroj që ti të m’i japësh nozullime shtëpisë sime”.

24 Kështu Hirami i jepte Salomonit dru cedri e bredhi gjithsa dëshironte. 25 Salomoni, prej anës së tij, i jepte Hiramit njëzet mijë korë grurë për ushqim për shtëpinë e tij dhe njëzet korë vaj të pastër. Kaq i jepte Salomoni Hiramit çdo vit.

26 Zoti i dha Salomonit dijen, ashtu siç i kishte premtuar.

Ndërmjet Hiramit e Salomonit mbretëronte paqja dhe së bashku lidhën besëlidhje.

27 Atëherë Salomoni mbret hapi angarinë në mbarë Izraelin: në angari u morën tridhjetë mijë vetë. 28 I dërgonte në Liban me ndërrime nga dhjetë mijë në muaj, kështu që një muaj ishin në Liban e dy muaj në shtëpi të veta. Përgjegjës mbi angari ishte Adonirami. 29 Salomoni kishte edhe shtatëdhjetë mijë mbartës barre dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në mal, 30 pa llogaritur përgjegjësit që ishin në krye të çdo vepre e ishin tri mijë e treqind që urdhëronin popullin që punonte. 31 Mbreti urdhëroi që të nxirreshin gurë të mëdhenj të zgjedhur për themelet e Tempullit, gurë katrorë. 32 Punëtorët e Salomonit, të Hiramit dhe giblinjtë ia hynë punës për të prerë dru e gurë e për t’i përgatitur për të ndërtuar Shtëpinë.

1 i Mbretërve: 6. Ndërtimi i Tempullit

6

1 Të katërqind e tetëdhjetin vit pasi bijtë e Izraelit kishin dalë prej Egjiptit, të katërtin vit, në muajin Ziv ‑ d. m. th. në muajin e dytë ‑ të mbretërisë së Salomonit mbi Izraelin, Salomoni filloi të ndërtojë Shtëpinë për nder të Zotit. 2 Shtëpia që Salomoni mbret e ndërtoi për Zotin, ishte gjashtëdhjetë kute e gjatë, njëzet kute e gjerë e tridhjetë kute e lartë. 3 Përpara Tempullit ishte tremja e gjatë njëzet kute, sipas gjerësisë së Tempullit dhe ishte e gjerë dhjetë kute në ballë të Tempullit. 4 Në Tempull ndërtoi edhe dritaret me rrethore e me rrjetë hekuri. 5 Ndërtoi mbështetur për murin e Tempullit kate përreth murit të Shtëpisë, të sallonit të madh e të Dabirit. 6 Kati i poshtëm ishte i gjerë pesë kute, kati i mesëm gjashtë kute i gjerë, kati i tretë shtatë kute i gjerë; sepse e kishte bërë me shkallë gjithkund përjashta murit që traret të mos hynin në murin e Tempullit.

7 Tempulli u ndërtua me gurë të latuar e të bërë gati, kështu që derisa u ndërtua Tempulli, nuk u dëgjua çekan as daltë dhe asnjë vegël e hekurt në Tempull. 8 Hyrja në katin e parë ishte në anën e djathtë të Tempullit e me anë të shkallëve rrethore ngjitej në katin e mesëm e prej tij në të tretin.

9 Kështu e ndërtoi Tempullin dhe e kreu; atëherë e mbuloi me trarë e dërrasa cedri. 10 Ndërtoi edhe aneksin përreth tërë Tempullit. Ishte pesë kute i lartë dhe i lidhur me Tempull me anë të trarëve të cedrit.

11 Atëherë Salomonit i qe drejtuar fjala e Zotit. I tha:

12 “Ti po e ndërton Tempullin... por, nëse ti do të ecësh sipas ligjeve të mia, nëse edhe do t’ i zbatosh urdhërimet e mia e nëse do t’i mbash rregulloret e mia dhe nëse do të jetosh sipas tyre, unë do të përforcoj premtimin tim, që ia kam dhënë Davidit, babait tënd; l3 e do të jetoj në mesin e bijve të Izraelit dhe kurrë nuk do të ndahem nga pupulli im, Izraeli”.

Brendia e Tempullit. Shenjtërorja e shenjtëroreve

14 Kështu Salomoni e ndërtoi Tempullin dhe e kreu.

15 Atëherë i veshi përbrenda muret e Tempullit me dërrasa cedri; prej truallit të Tempullit e deri në majë të mureve dhe tavanet i mbuloi me dërrasa cedri përbrenda, kurse truallin e shtroi me dërrasa bredhi. 16 E punoi edhe perden dërrasash cedri njëzetkutësh në pjesën e sprasme të Tempullit me dërrasa cedri prej truallit e deri në tavan dhe e ndau këtë pjesë për Dabir d. m. th. Shenjtërore të shenjtëroreve. 17 Kurse vetë Tempulli, para saj, ishte dyzet kute i gjatë. 18 Në dërrasat e cedrit përbrenda Tempullit ishin të gdhendura gërsheta trëndafilash dhe boça të hapura lulesh. Të gjitha ishin të veshura me lëndë cedri dhe askund nuk shihej guri në mure.

19 Dabirin e punoi në mes të Shtëpisë, në pjesën e brendshme të fshehtë për ta vendosur në të Arkën e Besëlidhjes së Zotit. 20 Kishte gjatësi njëzet kute, gjerësi njëzet kute e lartësi njëzet kute. E veshi me ar të pastër. Para Dabirit punoi me dru cedri një lter. 21 Salomoni e veshi brendinë e shtëpisë me ar të pastër dhe para Dabirit vuri vargje të arta. 22 S’kishte asgjë në Tempull që të mos ishte e veshur me ar, po edhe krejt lteri i caktuar për Dabirin, ishte i veshur në ar.

Kerubinët

23 Në Dabir i punoi dy kerubinë, prej druri të ullirit, të lartë dhjetë kute. 24 Njëri krah i kerubinit ishte i gjatë pesë kute dhe krahu tjetër i kerubinit ishte i gjatë pesë kute, d. m. th. dhjetë kute prej njërës majë të krahut deri në majën e krahut tjetër. 25 Dhjetë kutesh ishte edhe kerubini i dytë: të dy kerubinët kishin të njëjtën masë e të njëjtën trajtë. 26 Lartësia e njërit kerubin ishte dhjetë kutesh, po aq edhe e tjetrit. 27 Kerubinët i vendosi në mjedis të Tempullit në pjesën e brendshme. Kerubinët shtrinin krahët e vet, kështu që njëri krah i kerubinit të parë prekte njërën faqe të murit e krahu i kerubinit të dytë prekte faqen tjetër të murit, kurse krahët e tjerë në mes të Tempullit ndesheshin me njëri‑tjetrin. 28 Edhe kerubinët i veshi me ar. 29 Muret e Tempullit i mbuloi me gdhendje figurash kerubinësh, palmash e lulesh të çelura gjithkund përreth, brenda dhe jashtë. 30 Me ar e mbuloi edhe shtrojën e Tempullit përfundi dhe përsipër.

Dyert. Tremja

3l Për hyrje në Dabir punoi derë dykrahëshe prej druri të ullirit. Ballëzinat e pragu ishin në pesë kënde. 32 Në dy krahët prej druri të ullirit gdhendi kerubinë, palma e lule të çelura dhe i veshi me ar duke i mbuluar si kerubinët, ashtu edhe palmat me ar. 33 Po ashtu bëri edhe për hyrje në Tempull: e punoi derën prej druri të ullirit me prag e me ballëzina katërkëndëshe, 34 kurse dy krahët e derës ishin prej bredhit. Secili krah ishte i dyfishtë dhe hapej. 35 Gdhendi kerubinë, palma dhe boça të çelura lulesh dhe i veshi të gjitha me pllaka ari.

36 Pastaj e ndërtoi tremen përbrenda me tre rreshta gurësh të latuar e një rresht me trarë cedri.

Datat

37 Në vitin e katërt, në muajin Ziv, iu vunë themelet e Shtëpisë së Zotit; 38 kurse në vitin e njëmbëdhjetë në muajin Bul ‑ d. m. th. muaji i tetë ‑ u krye Shtëpia në të gjitha pjesët e saja me gjithçka i duhej.

Salomoni e ndërtoi për shtatë vjet.

1 i Mbretërve: 7. Pallati mbretëror i Salomonit

7

1 Salomoni e ndërtoi edhe pallatin mbretëror dhe e kreu plotësisht për trembëdhjetë vjet. 2 E ndërtoi pallatin që quhej “Pylli i Libanit”. Ishte i gjatë njëqind kute, i gjerë pesëdhjetë kute e i lartë tridhjetë kute mbi katër rreshta shtyllash cedri e mbi shtylla trarë cedri. 3 Ishte i mbuluar mbi dhoma me lëndë cedri, lart pushonte mbi shtylla, që ishin dyzet e pesë, nga pesëmbëdhjetë për çdo rresht. 4 Ishin tre rreshta dritaresh nga tri dritare, njëra përballë tjetrës, tri herë. 5 Dyert e shtatkat e tyre ishin katërkëndëshe.

6 E ndërtoi edhe tremen e shtyllave pesëdhjetë kute të gjatë e tridhjetë kute të gjerë. Përpara tremes së madhe ndërtoi edhe një tjetër me shtylla e me kangjella përpara tyre.

7 Ndërtoi edhe sallonin e fronit, ku mbahet gjyqi; ai ishte i veshur me dërrasë cedri prej truallit e deri në trarë.

8 Shtëpia në të cilën banonte ai, ishte në një oborr tjetër brenda, përballë tremes, po me të njëjtin stil. Po në këtë stil ndërtoi edhe një shtëpi tjetër për bijën e faraonit, që kishte marrë Salomoni për grua.

9 Të gjitha këto ndërtesa ishin prej gurit të zgjedhur, të prerë me masë, të latuar përjashta e përbrenda, prej themelesh e deri në majë të mureve po edhe përjashta deri në tremen e madhe. 10 Themelet ishin prej gurësh të zgjedhur e të mëdhenj dhjetë ose tetëkutesh. 11 Përmbi ta, gurë të zgjedhur e të prerë me masë dhe lëndë cedri. 12 Tremja e madhe kishte tre rreshta gurësh të zgjedhur, të prerë me masë dhe një rresht trarësh cedri. Ishte i ngjashëm me tremen e Shtëpisë së Zotit përbrenda dhe me paraderën e Shtëpisë së Zotit.

Hirami

13 Salomoni çoi dhe e mori Hiramin nga Tiri. l4 Ishte biri i një vejushe prej fisit të Neftaliut dhe për babë kishte një tiras. Ishte mjeshtër bronzi. Ishte i pajisur me një aftësi të madhe tekinike, me dije e zotësi të madhe dhe mjeshtër i spikatur për të kryer me mjeshtëri çdo vepër në bronz. Ky erdhi te Salomoni dhe i punoi gjithçka i kërkoi.

Shtyllat prej bronzi

15 I shkriu dy shtylla bronzi. Secila ishte e lartë tetëmbëdhjetë kute dhe duhej një pe dymbëdhjetëkutësh për ta pushtuar, kurse trashësia ishte katër gishtash dhe përbrenda ishte e zbrazët; kështu ishte edhe shtylla e dytë. l6 I punoi edhe dy kapitele me bronz të shkrirë për t’i vënë në majë të shtyllave. Njëri kapitel ishte i lartë pesë kute dhe kapiteli tjetër ishte po ashtu pesë kute i lartë. l7 Punoi gërshetime në trajtë të gërshetit në trajtën e vargjeve të gërshetuara me mjeshtëri të madhe mbi kapitelet që ishin në krye të shtyllave: shtatë në njërin kapitel e shtatë në tjetrin.

18 Rreth e rreth mbi njërin gërshet i punoi dy rreshta shegash për t’i mbuluar kapitelet që ishin mbi majën e shtyllave; po ashtu bëri edhe për kapitelin e dytë. 19 Kurse kapitelet që ishin mbi majën e shtyllave para tremes, ishin në trajtën e zambakut dhe ishin katërkutesh. 20 Punoi edhe kapitele të tjera në majë të dy shtyllave, përsipër gungës që ishte nën gërshet. Ishin dyqind shega të punuara në dy rreshta rreth e rreth njërit kapitel e po aq edhe në kapitelin tjetër. 21 Dy shtyllat i vendosi në treme të Tempullit. Kur e vendosi shtyllën e djathtë, e quajti Jakin, po ashtu e vendosi edhe shtyllën e majtë dhe e quajti Booz. 22 Maja e shtyllës kishte trajtën e zambakut. Kështu u krye puna me shtyllat.

Deti i bronztë

23E punoi edhe një det prej metali të shkrirë, prej buze në buzë dhjetë kute të gjerë, të rrumbullakët. Thellësia e tij ishte pesë kute, kurse e matur rreth e rrotull gryka ishte tridhjetë kutesh. 24 Nën buzë kishte boça lulesh të skalitura rreth e rreth në dy rreshta të ngjitura në një me detin. 25 Peshonte mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin në veri, tre në perëndim, tre në jug e tre në lindje, kurse deti rrinte mbi ta. Pjesën e sprasme qetë e kishin të fshehur përbrenda. 26 Trashësinë e kishte një shuplakë, grykën e kishte si grykëgote, porsi lulja e zambakut. Zinte dy mijë batë.

Bazat dhe legenët

27 I punoi dhjetë baza bronzi, të gjata katër kute, të gjera katër kute e të thella tre kute secila. 28 Bazat ishin të punuara kështu: me degë të mbërthyera me tërthorce përsipër. 29 Mbi degë, ndërmjet tërthorcave, kishte luanë, qe, kerubinë. Po ashtu edhe mbi terthorca, kurse mbi luanë e mbi qe kishte stoli kurorash, vepër e mjeshtrit farkues. 30 Secila bazë kishte katër rrotë bronzi me boshta e katër këmbë me mbajtës; në legen ishin mbajtësit të ngrirë me stolisje. 31 Lart, gryka ishte e rrumbullakët, pjesë e bazës, një kut e gjysmë; ishte në trajtë të një ene të stolisur, kurse në të kishte stolisje të gdhendura. Degët e saja ishin katrore e jo të rrumbullakëta. 32 Katër rrotat ishin nën degë e terthorca dhe të lidhura me bazën me anë të shufrave bronzi. Një rrotë ishte e lartë një kut e gjysmë. 33 Rrotat ishin siç janë ato të karrocave të rëndomta: boshtat e tyre, gavenjtë, rreskët dhe bucelat, të gjitha ishin prej metali të shkrirë. 34 Po edhe katër krahësit, në katër këndët e bazës ishin të shkrirë në një me bazën. 35 Në majë të bazës ishte gjithkah rrotull një rreth i lartë gjysmë kuti. Në majë shufrat dhe degët bënin një trup të vetëm me bazën. 36 Gdhendi me pllakat e terthorcave dhe të degëve kerubinë, luanë e palma, sipas sipërfaqes së atyre pllakave dhe të kezave përreth. 37 Kështu i punoi dhjetë baza: ishin të shkrira në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën masë e me të njëjtat gdhendje.

38 Punoi gjithashtu edhe dhjetë legenë bronzi. Secili legen nxinte dyzet batë dhe ishte katër kutësh. Në secilën nga dhjetë bazat u vu nga një legen. 39 Pesë baza i vendosi në krahun e djathtë të Tempullit, e pesë të tjerat në krahun e majtë. Detin e vendosi në të djathtë të Tempullit, në juglindje.

Orenditë e vogla

40 Hirami i punoi kusi, lugore e kupa dhe i kreu gjithçka që i lypeshin mbretit Salomon për Tempullin e Zotit: 41 dy shtylla, dy gungat e rrumbullakëta, mbi të cilat u vunë kapitelet mbi maja të shtyllave; 42 katërqind shegat për të dy gërshetat: nga dy rreshta shegash në secilin gërshet për t’i mbuluar gungat e kapiteleve që ishin mbi shtyllat. 43 I punoi edhe dhjetë bazat me dhjetë legenët mbi bazat, 44 vetëm një det dhe dymbëdhjetë qetë nën det; 45 pastaj kusi, lugore e kupa. Të gjitha enët që ia punoi Hirami mbretit Salomon për Tempullin e Zotit, ishin prej bronzi të kulluar. 46 Mbreti urdhëroi që të gjitha këto të ngrihen në kallëpe argjile në bregun e Jordanit, ndërmjet Sukotit e Sartanit.

47 Pastaj Salomoni i vendosi të gjitha orenditë në vendin e caktuar, por prej shumicës së madhe nuk dihej pesha e bronzit.

48 Salomoni i punoi të gjitha enët në Shtëpinë e Zotit: lterin e artë, tryezën e artë, mbi të cilën vihen bukët e kushtimit; 49 shandana pesë në anën e djathtë dhe pesë në anën e majtë para Dabirit, prej ari të kulluar; lulet, dritëzat dhe preset për to, të arit. I punoi edhe gërshërët të arta, 50 vegëshat, thikat, kusitë, çinitë dhe kemoret prej ari të pastër; shtatkat e dyerve të pjesës së fshehtë të Shenjtërores së shenjtë‑ roreve si dhe të sallës së Tempullit, prej arit.

51 Kështu u krye mbarë puna që kishte ndër‑ marrë mbreti Salomon në ndërtimin e Tempullit të Zotit. Salomoni i futi të gjitha dhuratat e shenjta t’et, Davidit ‑ argjend, ar dhe enë ‑ dhe i vendosi në thesarin e Shtëpisë së Zotit.

 

1 i Mbretërve: 8. Bartja e Arkës së Besëlidhjes

8

1 Atëherë Salomoni i bashkoi në Jerusalem te vetja ‑ te mbreti Salomon ‑ gjithë parinë e Izraelit: të gjithë të parët e fiseve, prijësit e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta bartur Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej Qytetit të Davidit, d. m. th. prej Sionit. 2 Të gjithë izraelitët u bashkuan të mbreti Salomon në muajin Etanim, d. m. th. në muajin e shtatë, në festë. 3 Kur erdhën të parët e Izraelit, priftërinjtë e morën Arkën 4 dhe e bartën Arkën e Zotit, Tendën e Takimit dhe të gjitha enët e Shenjtë‑ rores që ishin në Tendë. I bartën priftërinjtë e levitët. 5 Mbreti Salomon dhe mbarë pupulli i Izraelit që ishte mbledhur rreth tij, së bashku me të flijonin para Arkës dele e gjedhë aq shumë, saqë s’mund të çmoheshin as të numëroheshin. 6 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtëroreve, nën krahët e kerubinëve. 7 Kështu kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e Arkës dhe mbronin Arkën edhe shtagat e saja. 8 Shtagat ishin të gjata dhe majat e tyre shiheshin përjashta në Dabir në Shenjtërore, por përjashta Dabirit nuk shiheshin. Aty janë deri në ditën e sotme. 9 Në Arkë nuk kishte tjetër përveç dy rrasave guri që i kishte futur në të Moisiu në Malin Horeb, kur Zoti lidhi Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej tokës së Egjiptit.

Hyji e merr për pronë të vetën Tempullin

10 Posa dolën priftërinjtë prej shenjtërores, reja e mbushi Shtëpinë e Zotit 11 dhe priftërinjtë nuk mund të qëndronin e të shërbesonin për shkak të resë: dhe njëmend lavdia e Zotit e kishte mbushur Shtëpinë e Zotit. 12 Atëherë Salomoni tha: “Zoti vendosi të banojë në renë e errët.

13 Unë, pra, bëra mirë që të ndërtova një Shtëpi të madhërishme, një fron të qëndrueshëm e të përhershëm për ty”.

Fjalimi që Salomoni i mbajti popullit

14 Mbreti u soll dhe e bekoi mbarë bashkë‑ sinë e Izraelit: mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte në këmbë. 15 Salomoni tha:

“Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që me gojën e vet i premtoi babait tim Davidit dhe me dorën e vet çoi në vend ato që tha: 16 ‘Prej ditës që e nxora popullin tim, Izraelin nga Egjipti, nuk kam zgjedhur asnjë qytet prej të gjitha fiseve të Izraelit që të më ndërtohej një Shtëpi, ku të qëndrojë Emri im, por zgjodha Davidin që të jetë në krye të popullit tim, Izraelit.’ 17 Im atë Davidi deshi të ndërtojë një Shtëpi për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit, 18 porse Zoti i tha Davidit, babait tim: ‘Ti ke menduar të ndërtosh një Tempull për nder të Emrit tim. Ke bërë mirë që ke menduar një punë të tillë. 19 Megjithatë, ti mos e ndërto Shtëpinë për nder të Emrit tim. Shtëpinë për nder të Emrit tim do të ma ndërtojë biri yt që do të rrjedhë prej ijës sate’.

20 Zoti përmbushi premtimin e vet që kishte dhënë. E trashëgova tim atë dhe hipa në fronin e Izraelit, ashtu siç ka thënë Zoti dhe e ndërtova Shtëpinë për nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit. 21 Në të caktova një vend për Arkën, në të cilën është Besëlidhja e Zotit, që ka lidhur me etërit tanë kur i nxori nga dheu i Egjiptit”.

Lutja personale e Salomonit

22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit 23 dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besë‑ lidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. 24 Ti mbajte fjalën që i dhe shërbëtorit tënd Davidit, babait tim: çfarë i premtove me gojë, ia plotësove me dorë siç e vërteton dita e sotme. 25 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, mbaja fjalën Davidit, tim eti, që i pate dhënë kur i the: ‘Nuk do të mugojë para meje trashëgimtari që rrjedh prej teje, i cili do të rrijë mbi fronin e Izraelit, në qoftë se bijtë e tu do të jenë të kujdesshëm në sjelljen e vet duke ecur para meje ashtu siç ke ecur ti para meje’. 26 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, le të plotësohet fjala, që i ke dhënë Davidit, babait tim, shërbëtorit tënd.

27 Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova! 28 Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë Emri im’! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend”!

Lutja për popullin

30 “Denjohu ta plotësosh lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me lutje në këtë vend! Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!

31 E, në rast se ndokush ka mëkatuar kundër të afërmit të vet, e, nëse i vihet beja me mallkim e nëse vjen për t’u betuar para lterit tënd në këtë Shtëpi, 32 dëgjo prej qiellit, ndërhyr e ndaj drejtësi ndërmjet shërbëtorëve të tu; dënoje të mbrapshtin kështu që sjellja e tij e keqe të bjerë mbi kokën e tij, kurse shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij!

33 E kur Izraeli, populli yt, do të jetë mundur prej armikut sepse do të ketë mëkatuar kundër teje, në qoftë se kthehet nga ti, në qoftë se i jep lavdi Emrit tënd, nëse të lutet e kërkon ndihmën tënde në këtë Shtëpi, 34 Ti vështroje prej qiellit, fale mëkatin e popullit tënd Izraelit e ktheje në vendin që u ke dhuruar etërve të tyre.

35 Nëse do të ndryhet qielli e nuk do të bjerë shi për shkak të mëkateve të tyre, por në qoftë se luten në këtë vend, nëse i japin lavdi Emrit tënd, nëse kthehen prej mëkateve të tyre sepse ti i ke ndëshkuar, 36 dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu e të popullit tënd Izraelit dhe dëftoju rrugën e drejtë nëpër të cilën të ecin e jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe popullit tënd për pronë.

37 E kur ta kapë vendin uria, murtaja, ose kllogjra, karkaleci ose vemja; ose ta ngushtojë armiku duke i rrethuar qytetet; ose ta mundojë çfarëdo ngushtimi tjetër ose sëmundjeje, 38 në qoftë se ndonjë njeri, cilido prej popullit tënd Izraelit, lutet e përlutet, pasi ta ketë sprovuar bremjen e ndërgjegjes në zemër, e i shtrin duart e veta drejt kësaj Shtëpie, 39 Ti dëgjo prej qiellit, vendit ku banon, fal, ndërhyr e jepi secilit sipas sjelljes së tij, sepse ti e njeh zemrën e secilit ‑ sepse i vetmi ti e njeh zemrën e të gjithë bijve të njerëzve ‑ 40 që të nderojnë ty në të gjitha ditët e jetës se tyre përmbi faqen e tokës qe ua dhe etërve të tyre”.

Plotësime

41 “Po edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd Izraelit, që të ketë ardhur prej një vendi të largët për të nderuar Emrin tënd ‑ 42 sepse për Emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të pushtetshme e për krahun tënd të tendur do të dëgjohet gjithkund ‑nëse vjen pra, e lutet në këtë vend, 43 Ti dëgjo prej qiellit, prej vendit të banesës sate, dhe plotëso gjithçka të të kërkojë i huaji, që të gjithë popujt e vendeve të ndryshme ta njohin Emrin tënd e të druan Ty porsi populli yt Izraelit, e le të shohin me sytë e vet se ka qenë thirrur Emri yt mbi këtë Shtëpi që ndërtova.

44 Kur të ketë dalë populli yt në luftë kundër armiqve të tij, duke ndjekur udhët që ti t’ia kesh urdhëruar, e të lutet ty i drejtuar drejt qytetit që ke zgjedhur dhe drejt Shtëpisë që ndërtova për nder të Emrit tënd, 45 dëgjo prej qiellit lutjet e përlutjet e tyre dhe bëj të ngadhënjejë e drejta.

46 E në qoftë se do të mëkatojnë kundër teje ‑ sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton ‑ e ti, i hidhëruar, do t’i lëshosh në duar të armiqve të tyre dhe pushtuesit e tyre do t’i skllavrojnë e do t’i tresin në tokën e armiqve larg ose afër; 47 e, nëse në vendin ku do të jenë skllevër, do të pendohen e, të kthehen kah ti me gjithë zemër në vendin ku të jenë të humbur e nëse të luten në skllavërinë e tyre e të thonë: ‘Mëkatuam, bëmë të keqen, vepruam kobësi’, 48 e të kthehen kah ti me gjithë zemrën e vet e me gjithë shpirtin e vet në tokën e armiqve të vet, ku të jenë të humbur si skllevër e në qoftë se do të luten në drejtim të vendit të vet, që ua dhe etërve të tyre, e në drejtim të qytetit që zgjodhe për vete, e të Tempullit që ndërtova për nder të Emrit tënd, 49 ti dëgjo në qiell, prej fronit tënd të patrandshmit, uratat e lutjet e tyre e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. 50 Fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje, fali të gjitha fyerjet që i ka bërë kundër teje e bëj që pushtuesit të kenë mëshirë ndaj tyre, të kenë dhembje për ta ata që i kanë robëruar ‑ 51 sepse është populli yt e prona jote, të cilët ti i nxore prej tokës së Egjiptit, prej furrës së shkrirjes së hekurit”.

Përfundimi i lutjes e bekimi i popullit

52 “Priri sytë e tu mbi lutjen e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, e dëgjo gjithçka që do të kërkojnë prej teje. 53 Sepse ti i ndave veçmas prej të gjithë popujve që janë mbi tokë për pronën tënde, siç ke thënë vetë me gojë të Moisiut, shërbëtorit tënd, kur i nxore etërit tanë prej Egjiptit, O Zot, Hyj”!

54 Kur Salomoni e kreu këtë lutje e përlutje drejtuar Zotit, u ngrit prej vendit para lterit të Zotit, ku kishte qenë ulur në të dy gjunjët me duar të shtrira drejt qiellit.

55 Qëndroi, pra, në këmbë, e bekoi mbarë bashkësinë e Izraelit dhe tha me zë të lartë: 56 “Qoftë bekuar Zoti që i dha qetësi popullit të vet, Izraelit, krejtësisht ashtu siç ia ka premtuar: s’ shkoi kot asnjë gjë prej atyre të mirave që i premtoi përmes gojës së Moisiut, shërbëtorit të vet.

57 Qoftë me ne Zoti, Hyji ynë, siç ka qenë me etërit tanë, ai mos na lëntë dhe kurrë mos na dëboftë, 58 por i prirtë zemrat tona drejt vetes, që të ecim gjithmonë udhëve të tija e t’i ruajmë urdhërimet, rregulloret e ligjet e tija, të gjitha që ua urdhëroi etërve tanë.

59 Këto fjalë që i përdora për t’iu lutur Zotit, qofshin ditë e natë para syve të Zotit, Hyjit tonë, për t’i dhënë të drejtat shërbëtorit të vet e popullit të vet Izraelit si një ditë për ditë, 60 kështu që mbarë popujt e botës ta dinë se Zoti është Hyji i vetëm dhe se s’ka tjetër përveç Tij.

61 Edhe zemra juaj iu kushtoftë krejtësisht Zotit, Hyjit tonë, me qëllim që ju gjithmonë t’i mbani ligjet e tija e t’i zbatoni urdhërimet e tija, siç po bëni sot”.

Flitë e festës së kushtimit të Tempullit

62 Mbreti dhe mbarë Izraeli me të i kushtuan fli Zotit. 63 Salomoni i kushtoi Zotit flinë e pajtimit ‑ si fli pajtimi që i kushtoi Zotit ishin: bagëti të trasha njëzet e dy mijë e bagëti të imëta njëqind e njëzet mijë. Kështu mbreti dhe të gjithë bijtë e Izraelit e kushtuan Tempullin e Zotit.

64 Atë ditë mbreti e shuguroi qendrën e tremes që ishte para Shtëpisë së Zotit; sepse aty kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e kushtimit dhe dhjamin e flive të pajtimit, sepse lteri i bronztë ishte tepër i vogël për të zënë flinë e shkrumbimit, flinë e kushtimit dhe dhjamin e flive të pajtimit.

65 Me këtë rast Salomoni e mbarë Izraeli bënë një festim të madh: ishte në praninë e Zotit, Hyjit tonë, për shtatë ditë rresht bashkësia e mbledhur prej hyrjes së Ematit e deri në lumin e Egjiptit.

66 Të tetën ditë e la popullin të shkojë. Këta, pasi e përshëndetën mbretin, shkuan plot gëzim e me zemrën mal në tendat e veta të kënaqur për të gjitha të mirat që Zoti i kishte dhënë Davidit, shërbëtorit të vet, e Izraelit, popullit të vet.

 

1 i Mbretërve: 9. Dëftim i ri hyjnor

9

1 Kur Salomoni kreu së ndërtuari Shtëpinë e Zotit, shtëpinë e mbretit e, pasi kreu së ndërtuari gjithçka kishte synuar të ndërtonte, 2 iu dëftua Zoti për së dyti, siç i ishte dëftuar në Gabaon. 3 E Zoti tha:

“Ta kam vështruar lutjen e kërkesën tënde që më ke drejtuar. E kam shuguruar Shtëpinë që ke ndërtuar për banesë të përhershme të Emrit tim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë aty përgjithmonë. 4 Po edhe ti, nëse do të ecësh para meje, siç eci yt atë, Davidi, në thjeshtësi të zemrës e në drejtësi dhe, nëse do t’ i zbatosh të gjitha ato që ti kam urdhëruar dhe, nëse do t’i mbash ligjet e mia dhe urdhërimet e mia, 5 unë do ta mbaj fronin e mbretërisë sate përgjith‑ monë mbi Izrael, sikurse i kam premtuar atit twnd, Davidit, kur i kam thënë: ‘Kurrë nuk do të mungojë në fronin e Izraelit një ndër pasardhësit e tu’. 6 Por, në qoftë se më lini ju dhe bijtë tuaj duke mos me ndjekur dhe duke mos i mbajtur urdhërimet e mia e ligjet e mia, që jua kam urdhëruar, por do të shkoni e do t’i nderoni hyjnitë e tjera dhe do t’i adhuroni ato, 7 do të bëj të zhduket Izraeli prej sipërfaqes së tokës, që jua kam dhënë; po edhe Tempullin që e shugurova për nder të Emrit tim, do ta flak prej pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet një emnesë dhe përrallë për mbarë popujt. 8 Kjo shtëpi do të bëhet gërmadhë! Kushdo që të kalojë nëpër të, do të çuditet e do të pëshpëritë dhe do të thotë: ‘Përse ia bëri Zoti kështu këtij vendi e kësaj Shtëpie’? 9 E do të përgjigjen: ‘Sepse e lanë Zotin, Hyjin e vet, që i pati nxjerrë etërit e tyre prej tokës së Egjiptit, dhe shkuan pas hyjnive të huaja e i adhuruan dhe i nderuan ato. Kjo është arsyeja që Zoti solli mbi ta gjithë këtë të keqe’”.

Këmbimi me Hiramin

10 Si kaluan njëzet vjet pasi Salomoni i kreu së ndërtuari dy shtëpitë, Shtëpinë e Zotit e pallatin mbretëror, 11 ‑ e meqenëse Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dhënë Salominit lëndën e cedrit e të bredhit dhe ar aq sa kishte pasur nevojë, ‑ atëherë edhe Salomoni i dha Hiramit njëzet qytete në Galile. 12 Hirami atëherë doli prej Tirit për t’i parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por ato nuk i pëlqyen. 13 Atëherë tha: “Po a këto janë qytetet që m’i dhe, or vëlla”? Dhe i quajti ato qytete “Toka Kabul” deri në ditën e sotme. 14 Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talenta ari.

Angaritë për ndërtime

15 Ja, çfarë ishte lidhur me angarinë që mbreti Salomon e vuri për të ndërtuar Shtëpinë e Zotit, pallatin e vet, Milon, muret e Jerusalemit, Asorin, Magedon dhe Gazerin.

16 Faraoni, mbreti i Egjiptit, nisi luftën, pushtoi Gazerin, e dogji me zjarr dhe i vrau kananenjtë që jetonin në të. Qytetin ia dha për pajë vajzës së vet, gruas së Salomonit. 17 Kështu, pra, Salomoni ndërtoi Gazerin dhe Betoronin e Poshtëm, 18 Baalatin, Tamarin e shkretëtirës, në vend, 19 si dhe të gjitha qytetet ‑ depo, qytetet për karroca lufte, për kalori që i përkisnin atij dhe gjithçka tjetër i pëlqente për të ndërtuar në Jerusalem, në Liban e në të gjitha tokat që i kishte nën pushtet. 20 Mbarë popullin që kishte mbetur prej amorrenjve, prej hetenjve, prej ferezenjve, prej hevenjve, prej jebusenjve, që nuk ishin prej bijve të Izraelit, 21 bijtë e tyre, që mbetën pas tyre në vend, d. m. th. ata që bijtë e Izraelit nuk arritën t’i shfarosnin, Salomoni i detyroi të punonin pa shpërblim si skllevër deri në ditën e sotme. 22 Kurse bijtë e Izraelit Salomoni nuk i ktheu në skllevër, por i kishte ushtarë, oborrtarë, prijës, armëmbajtës, prijës të karrocave të tija e të kalorësisë së tij. 23 Prijësit që ishin në krye të të gjitha punëve të Salomonit, ishin pesëqind e pesëdhjetë. Këta i urdhëronin popullit që ishte i detyruar të punonte.

24 Posa hyri bija e faraonit prej Qytetit të Davidit në pallatin e saj që i ndërtoi Salomoni, menjëherë Salomoni ndërtoi Melon.

Shërbesa në Tempull

25 Tri herë në vit Salomoni kushtonte fli shkrumbimi dhe fli pajtimi në lter që kishte ndërtuar për nder të Zotit dhe digjte kem për nder të Zotit. Kështu e kreu Tempullin.

3. SALOMONI DHE TREGTIA

Salomoni ndërton flotën detare

26 Mbreti Salomon ndërtoi edhe flotën në Asiongaber, që është afër Ailatit, në bregun e Detit të Kuq, në tokën e Idumesë. 27 Hirami i dërgoi shërbëtorët e vet në anije, njerëz të mësuar me detin bashkë me shërbëtorët e Salomonit. 28 Këta, kur erdhën në Ofir, i morën prej andej katërqind e njëzet talenta ar dhe ia sollën Salomonit mbret.

Pasia e mbretëreshës së Sabës

1 i Mbretërve: 10. Pasuria e Salomonit

10

1 Por edhe mbretëresha e Sabës, duke pasë dëgjuar për zërin e madh që kishte arritur Salomoni në saje të Emrit të Zotit, erdhi ta sprovojë në gjëegjëza. 2 Ajo erdhi në Jerusalem me një ndjekësori të madhe shumë, me pasuri, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar dhe gurë të paçmueshëm; erdhi te Salomoni dhe bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemrën e saj. 3 Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve: s’qe asnjë çështje aq e panjohur për të, sa të mos dinte t’i jepte përgjigje.

4 Duke parë mbretëresha e Sabës dijen e Salomonit, shtëpinë ‑ pallatin, që kishte ndërtuar, 5 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve, fisnikërinë e mëkëmbësve të tij, petkat e tyre, verëqitësit; flitë e shkrumbimit që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, mbeti pa frymë! 6 Ajo i tha mbretit: “Paskan qenë të vërteta fjalët që i kam dëgjuar të fliteshin në vendin tim për ty e për dijen tënde. 7 Unë nuk u besoja atyre që më tregonin deri Tani që erdha e pashë me sytë e mi dhe po shoh se as gjysmën s’m’i paskan pasë treguar! Qenka më e madhe dija jote dhe pasuria sesa kam dëgjuar unë! 8 Lum njerëzit e tu dhe lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje dhe dëgjojnë urtësinë tënde! 9 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i paske pëlqyer dhe të paska vënë mbi fronin e Izraelit; duke qenë se Zoti e do Izraelin për amshim, ai edhe të vuri mbret që ta ushtrosh të drejtën e drejtësinë”.

10Ajo i dhuroi mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë dhe shumë gurë të paçmueshëm: kurrë nuk u sollën më aq erëra të mira, sa i dhuroi mbretëresha e Sabës Salomonit mbret.

11 Edhe flota e Hiramit, që mbartte ar prej Ofirit, solli nga Ofiri dru rrëshinore me shumicë dhe gurë të paçmueshëm.

12 Me dru rrëshinore mbreti punoi parmakët për Shtëpinë e Zotit, për pallatin mbretëror si dhe lira e cetra për këngëtarë. Kurrë më nuk u sollën aq dru rrëshinore as nuk u pa deri tani.

13 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës së Sabës sa dëshironte dhe kishte kërkuar, përveç sa i kishte dhënë si dhuratë mbretërore. Atëherë ajo u kthye e shkoi në vendin e vet bashkë me shërbëtorët e vet.

Pasuria e Salomonit

14 Pesha e arit që i vinte çdo vit Salomonit, ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari, 15 pa llogaritur sa i vinte nga taksat e nënshtetasve, nga shitjet e tregtarëve, nga mbretërit e Arabisë dhe nga prijësit e vendit.

16 Mbreti Salomon i punoi dyqind shqyta ari të kulluar, për secilin shqyt i shkonte nga gjashtëqind sikla ar; 17 punoi edhe treqind shqyta të vegjël, ari të kulluar, për secilin prej tyre duheshin tri mina ar. Këta shqyta mbreti i vendosi në pallatin e quajtur “Pylli i Libanit”.

18 Mbreti Salomon punoi edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. 19 Froni kishte gjashtë shkallë; shpinëza ishte e rrumbullakët; bërrylëzore kishte dy në këtë e në atë anë të ndenjëses e në krye të bërrylëzoreve kishte nga një luan; 20 në gjashtë shkallët qëndronin, këndej e andej, dymbëdhjetë luanë. Diçka si ky fron nuk qe punuar në asnjë mbretëri.

21 Po edhe të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Salomon, ishin të arta si dhe mbarë enët e pallatit “Pylli i Libanit”, ishin prej ari të pastër; asnjë s’ishte prej argjendi, sepse argjendi nuk çmohej në kohën e Salomonit. 22 Sepse mbreti kishte në det anijet e Tarsit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmuna e pavoda.

23 Kështu, pra, Salomoni mbert u bë më i madhi ndër të gjithë mbretërit e botës për nga pasuria dhe dija. 24 Mbarë bota dëshironte ta shihte Salomonin për t’ia dëgjuar urtësinë e tij me të cilën e kishte pajisur Hyji zemrën e tij. 25 Gjithkush i sillte dhuratat e veta: gjëra argjendi, gjëra ari, petka, armë, erëra të mira, kuaj e mushq dhe kështu vit për vit.

Karrocat e Salomonit

26 Salomoni mblodhi karroca e kuaj. Kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kuaj dhe i vendosi nëpër qytete karrocash lufte dhe te mbreti në Jerusalem.

27 Salomoni ia arriti të kishte në Jerusalem argjend me shumicë porsi gurë; dhe dru cedri kishte aq shumë sa ç’janë fiqtë e egër në Sefelë! 28 Kuajt e Salomonit vinin prej Egjiptit e prej Koes, sepse tregtarët e mbretit i blinin me çmim të caktuar nga Koa. 29 Një karrocë e blerë në Egjipt, kushtonte gjashtëqind sikla të argjendtë, kurse një kalë njëqind e pesëdhjetë. Kështu të gjithë mbretërit e hetenjve e të Sirisë i shitnin me anë të tregtarëve.

 

1 i Mbretërve: 11. Gratë e Salomonit

11

1 Mbreti Salomon dashuroi shumë gra të huaja: përveç bijës së faraonit, edhe moabite, amonite, idumease, sidonite dhe hetease; 2 bija popujsh për të cilat u tha Zoti bijve të Izraelit: “Mos hyni tek ato as prej tyre të mos hyjnë te bijat tuaja, sepse s’ka dyshim që do t’i kthejnë zemrat tuaja t’i ndiqni zotat e tyre”. Me të tilla u lidh Salomoni me dashuri. 3 Kishte shtatëqind gra pothuajse mbretëresha e treqind shemra. Gratë ia prishën zemrën.

4 Dhe kur Salomoni u plak, gratë e tija ia prishën zemrën e i ndoqi hyjnitë e huaja dhe zemra e tij nuk i përkiste më plotësisht Zotit, Hyjit të tij, sikurse zemra e Davidit, babait të tij. 5 Salomoni ndiqte Astartën, hyjneshën e sidonëve e Melkomin, idhullin e amonëve. 6 Kështu Salomoni bëri çka nuk i pëlqente Zotit dhe nuk i qe besnik Zotit, sikurse qe Davidi, baba i tij. 7 Atëherë Salomoni i ndërtoi një lartësirë Kamosit, idhullit të moabitëve, në malin që është përballë Jerusalemit, dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit. 8 Kështu bëri edhe për të gjitha gratë e veta të huaja, të cilat u kushtonin kem dhe fli hyjnive të veta.

9 Prandaj edhe Zoti iu hidhërua Salomonit, sepse e largoi mendjen e vet prej Zotit, Hyjit të Izraelit, i cili iu dëftua dy herë 10 dhe i kishte urdhëruar mu këtë: të mos i ndiqte hyjnitë e huaja. Por ai nuk zbatoi çka i kishte urdhëruar Zoti. 11 Kështu që edhe Zoti i tha Salomonit: “Pasi bëre kështu e nuk e mbajte Besëlidhjen time as urdhërimet e mia që t’i dhashë, unë do ta marr prej teje mbretërinë tënde e do t’ia jap një shërbëtori tënd. 12 Megjithatë këtë s’do ta bëj për të gjallë tënd, për dashuri të Davidit, babait tënd; do ta marr prej duarve të djalit tënd. 13 Por as prej tij s’do ta marr tërë mbretërinë, birit tënd do t’i jap vetëm një fis për shkak të shërbëtorit tim Davidit e për shkak të Jerusalemit që e kam zgjedhur”.

Armiqtë e jashtëm të Salomonit

14 Por Zoti i ngriti Salomonit një kundër‑ shtar: Adadin idumeas, që ishte nga familja mbretërore e Edomit. 15 Kur i kishte mundur Davidi edomasit dhe, kur Joabi, prijësi i ushtrisë, shkoi për t’i varrosur të vrarët, dhe pasi i vrau të gjithë meshkujt në Idume, 16‑ sepse atje qëndroi për gjashtë muaj Joabi dhe mbarë Izraeli derisa ua humbën farën të gjithë meshkujve në Idume ‑ 17 Adadi me njerëzit e vet, idumeas, shërbëtorët e t’et, iku për të shkuar në Egjipt. Adadi asohere ishte djalosh shumë i vogël. 18 U nisën prej Madianit e arritën në Faran. I morën me vete disa njerëz prej Faranit e shkuan në Egjipt te faraoni, mbreti i Egjiptit, që i dha banesën, i siguroi ushqimin e i dha toka. 19 Adadi gjeti përkrahje të madhe te faraoni, aq sa ia dha për grua të motrën e gruas së vet, motrën e Tafnesës, mbretëreshës. 20 Motra e Tafnesës i lindi djalë, Genubatin, dhe Tafnesa e rriti djalin në shtëpinë e faraonit. Genubati qëndroi në shtëpinë e faraonit me bijtë e tij.

21 Kur dëgjoi Adadi se Davidi kishte pushuar pranë të parëve të tij dhe se Joabi, prijësi i ushtrisë, kishte vdekur, i tha faraonit: “Më lejo të shkoj në vendin tim”. 22 Faraoni i tha: “Çfarë po të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?” Ai iu përgjigj: “Asgjë; por, po të lutem, më lër të shkoj”.

23 Hyji i ngriti Salomonit edhe një kundërshtar tjetër: Razonin, birin e Eliadës, që kishte ikur prej Adadezerit, mbretit të Sobës, zotërisë së vet. 24 Ky i bashkoi rreth vetes disa trima dhe u bë kapedan i çetës. Por, meqenëse Davidi i vriste, kishin shkuar në Damask, ngulën aty dhe sunduan Damaskun. 25 Ky ishte kundërshtar i Izraelit gjatë tërë jetës së Salomonit; pos kësaj edhe e keqja që ishte Adadi. E urreu Izraelin e mbretëroi në Siri.

Kryengritja e Jeroboamit

26 Po edhe Jeroboami, biri i Nabatit, një efratas nga Sareda, nëpunës i Salomonit, nëna e të cilit quhej Sarvë e ishte grua e ve, çoi kokë kundër mbretit. 27 Dhe ja, shkaku i kryengritjes kundër mbretit:

Salomoni po ndërtonte Melon e po rrafshonte humnerën e Qytetit të Davidit, t’et. 28 E Jeroboami ishte burrë i fortë e i vyeshëm. Salomoni, duke e parë djaloshin se si punonte, e emëroi mbikëqyrës të të gjithë punonjësve të shtëpisë së Jozefit.

29 E ndodhi që asohere Jeroboamin, dalë nga Jerusalemi, ta takojë në rrugë Ahia profet, prej Silos. Ahia ishte mbështjellë me mantel të ri. Ishin quk vetëm në fushë. 30 Ahia mori leshnikun e vet të ri, me të cilin ishte i mbështjellë, e shqeu në dymbëdhjetë pjesë 31 e i tha Jeroboamit:

“Merri dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit’: Ja, unë do ta heq prej dorës së Salomonit mbretërinë e do të t’i jap ty dhjetë fise. 32 Atij do t’i lë vetëm një fis për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, e për shkak të qytetit të Jerusalemit që, prej të gjitha fiseve të Izraelit e zgjodha për vete. 33 Arsyeja është se më lanë mua e adhuruan Astartën, hyjneshën e sidonëve, Kamosin, hyjin e moabitëve, Melkomin, hyjin e bijve të Amonit dhe nuk ecën udhëve të mia; nuk bëjnë çka është e drejtë para syve të mi, as s’i zbatojnë urdhërimet e ligjet e mia porsi Davidi, baba i tij. 34 Nuk do t’ia heq dore mbarë mbretërinë, por do ta lë prijës për të gjithë jetën e tij për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, që e kam zgjedhur, dhe i cili i mbajti urdhërimet e ligjet e mia. 35 Mbretërinë do ta marr prej dorës së djalit të tij e ty do të t’i jap dhjetë fise, 36 kurse djalit të tij do t’i jap vetëm një fis që t’i mbesë shërbëtorit tim Davidit një llambë e ndezur para meje në Jerusalem, qytet që e zgjodha vetë për të banuar aty Emri im. 37 Ty do të të marr që të mbretërosh mbi gjithçka të dëshirosh e të jesh mbret mbi Izraelin. 38 Nëse do të dëgjosh gjithçka të të urdhëroj, nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do të bësh çka është e drejtë para syve të mi, duke mbajtur urdhërimet e mia e ligjet e mia, siç bëri Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do ta ndërtoj një brez mbretëror të qëndrueshëm, siç ia ndërtova Davidit, e ty do të ta jap Izraelin. 39 Me këtë gjë do ta përul farën e Davidit, megjithëse jo për përgjithmonë’”.

40 Salomoni kërkoi ta vrasë Jeroboamin, por ky u çua e iku në Egjipt të Sesaku, mbreti i Egjiptit. Jeroboami qëndroi në Egjipt deri në vdekjen e Salomonit.

Përfundimi i mbretërisë

41 Veprat e tjera të Salomonit, gjithçka bëri, dhe urtësia e tij, ja të gjitha janë të shkruara në Librin e Veprave të Salomonit. 42 Mbretërimi i Salomonit në Jerusalem mbi mbarë Izraelin zgjati dyzet vjet.

43 Salomoni fjeti me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit, babait të tij.

Në vend të tij mbretëroi Roboami, i biri.

 

1 i Mbretërve: 12. Kuvendi në Sikem

12

1 Roboami erdhi në Sikem, sepse mbarë Izraeli ishte bashkuar atje për ta shpallur mbret. 2 Posa e mori vesh Jeroboami, biri i Nabatit ‑ sepse ishte ende i ikur larg Salomonit mbret në Egjipt ‑ u kthye nga Egjipti, 3 pasi çuan dhe e thirrën. Erdhi, pra, Jeroboami dhe mbarë bashkësia e Izraelit dhe biseduan me Roboamin. I thanë: 4 “Yt atë na ka vënë zgjedhë tepër të rëndë. Ti tani na e lehtëso pakëz skllavërinë e tët eti edhe zgjedhën tepër të rëndë që na ka ngarkuar, dhe ne do të jemi shërbëtorët e tu”.

5 Ai u përgjigj: “Shkoni dhe ejani përsëri pas tri ditësh tek unë”. Pasi populli shkoi, 6 Mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbimin e babait të tij Salomonit kur ky ishte ende gjallë. U tha: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem këtij populli”?

7 Ata i thanë: “Në qoftë se ia pranon fjalën sot këtij populli, nëse u shërben, nëse ua pranon kërkesën e tyre e nëse u flet fjalë të buta, gjithmonë do të jenë shërbëtorë të tu”.

8 Por ai nuk e pranoi këshillën që i dhanë pleqtë, po u këshillua me të rinj që ishin rritur bashkë me të dhe ishin ndjekësit e tij. 9 I pyeti ata: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem këtij populli që më tha: ‘Na e lehtëso zgjedhën që yt atë na ka ngarkuar’?”

10 Djelmoshat që ishin rritur me të, iu përgjigjën: “Kështu thuaj këtij populli që bisedoi me ty e të tha: ‘Yt atë na ngarkoi zgjedhë të rëndë, ti na e lehtëso’; ti thuaju kështu: ‘Gishti i vogël imi është më i trashë se të hollët e tim eti. 11 Tashti, im atë ju ka vënë zgjedhë të rëndë, kurse unë do ta rëndoj ende zgjedhën tuaj; im atë ju rrahu me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me gallomë të metaltë”.

12 Erdhi, pra, Jeroboami dhe mbarë bashkësia e Izraelit te Roboami të tretën ditë, siç u kishte thënë mbreti: “Kthehuni tek unë të tretën ditë”! 13 Mbreti iu përgjigj popullit ashpër duke e përbuzur këshillën që i kishin dhënë pleqtë, 14 dhe iu përgjigj sipas këshillës së të rinjve. U tha:

“Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj,

kurse unë do ta bëj edhe më të rëndë;

im atë ju rrahu me frushkuj,

kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me gallomë të metaltë”.

15 Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu e rregulloi Zoti që të shkonte në vend fjala e tij që ia tha Jeroboamit, birit të Nabatit, me anë të Ahisë së Silos.

16 Kur mbarë Izraeli pa se mbreti s’donte ta dëgjonte, tërë populli iu përgjigj e i tha:

“Ç’pjesë kemi në Davidin?

Ose ç’trashëgim në birin e Isait?

Në tendat e tua, o Izrael!

Tani kujdesu për shtëpinë tënde, David”!

Mbarë Izraeli shkoi në tendat e veta.

17 Roboami vazhdoi të mbretërojë mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës. 18 Mbreti Roboam dërgoi Adoniramin, mbi‑ këqyrësin e angarisë, porse mbarë Izraeli e vrau me gurë dhe ai vdiq, kurse mbreti Roboam, shpejt e shpejt kërceu në karrocë dhe iku në Jerusalem. 19 Kështu Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.

Ndarja politike

20 Kur izraelitët morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, çuan dhe e thirrën në mbledhje dhe e bënë mbret mbi mbarë Izraelin. S’u gjet askush që të donte ta ndiqte shtëpinë e Davidit, përveç fisit të Judës, të vetmit.

21 Roboami erdhi në Jerusalem, e bashkoi mbarë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit: njëqind e tetëdhjetë mijë ushtarë, luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit për t’ia kthyer mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit. 22 Porse fjala e Zotit i qe drejtuar Semeit, njeriut të Hyjit. I tha: 23 “Fol me Roboamin, birin e Salomonit, mbretin e Judës, dhe me mbarë shtëpinë e Judës e të Beniaminit si dhe me mbarë popullin tjetër e thuaj: 24 ’Kështu thotë Zoti: Ruaj se dilni e luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili le të kthehet në shtëpinë e vet! Shkaktari i kësaj jam unë”!

E dëgjuan fjalën e Zotit dhe u kthyen siç u urdhëroi Zoti.

25 Jeroboami e fortifikoi Sikemin në malet e Efraimit dhe nguli të banojë në të. Pastaj doli prej andej dhe fortifikoi edhe Fanuelin.

Ndarja fetare

26 Jeroboami bëri këtë pleqësi: “Në këtë gjendje që është mbretëria do t’i kthehej shtëpisë së Davidit, 27 në qoftë se populli shkon për të kushtuar fli në Shtëpinë e Zotit në Jerusalem dhe zemra e këtij populli do të kthehet te zotëria i vet Roboami, mbret i Judës, do të më vrasin dhe do të kthehen te Roboami, mbreti i Judës”.

28Mbreti, pasi u këshillua, punoi dy viça të artë dhe i tha popullit: “Mos shkoni më në Jerusalem! Ja, o Izrael, zotat e tu, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”. 29 Njërin e vendosi në Betel e tjetrin e vuri në Dan. 30 Ja, pra, këtu qëndron mëkati: populli shkonte para njërit prej tyre deri në Dan. 31 Jeroboami ndërtoi tempuj në lartësi dhe bëri priftërinj, njerëz të marrë nga populli i thjeshtë që s’ishin prej bijve të Levit. 32 Caktoi pastaj edhe një të kremte në të tetin muaj, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit, porsi e kremtja që festohej në Jude dhe u ngjit në lter. Kështu veproi në Betel për t’u flijuar viçave që kishte punuar. Në Betel i caktoi edhe priftërinjtë për tempujt që kishte ndërtuar në lartësi. 33 Dhe u ngjit në lterin që kishte ndërtuar në Betel, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit të tetë, që e kishte caktuar sipas mendimit të vet! E bëri festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në lter për ta djegur kemin.

 

1 i Mbretërve: 13. Dënohet lteri në Betel

13

1 Dhe, ja, një njeri i Hyjit prej Judës, me urdhër të Zotit, erdhi në Betel mu atëherë kur Jeroboami kishte hipur në lter për ta djegur kemin. 2 Ai, me urdhër të Zotit bërtiti kundër lterit e tha: “Lter, o lter! Kështu thotë Zoti: ‘Ja, do të lind një djalë në shtëpinë e Davidit me emrin Jozi! Ai do t’i flijojë mbi ty priftërinjtë e lartësive, që kanë flijuar mbi ty kemin dhe do të djegë mbi ty eshtra njerëzish”! 3 Njëkohësisht dha këtë shenjë duke thënë: “Dhe, ja, shenja se janë fjalët e Zotit: Ja, lteri do të çahet e hiri, që është mbi të, do të derdhe”!

4 Mbreti, posa dëgjoi fjalën e njeriut të Hyjit, që bërtiti kundër lterit në Betel, e shtriu dorën e vet që kishte mbi lter e tha: “Kapeni”! Porse dora e tij që e shtriu kundër atij njeriu, iu ngri dhe s’mundi ta mbledhë më. 5 Po edhe lteri u ça dhe u derdh hiri që ishte mbi të, sipas shenjës që njeriu i Hyjit e kishte dhënë me urdhër të Zotit.

6 Atëherë mbreti mori fjalën e i tha njeriut të Hyjit: “Lute Zotin, Hyjin tënd, e ndërmjetëso për mua që të mund ta mbledh dorën time”. Njeriu i Hyjit iu lut Zotit dhe dora e mbretit u kthye dhe u bë siç ishte më parë.

7 Atëherë mbreti i tha njeriut të Hyjit: “Eja me mua në shtëpi për bukë e do të të jap edhe dhurata”. 8 Por njeriu i Hyjit iu përgjigj mbretit: “Po të më jepje edhe gjysmën e shtëpisë sate, nuk do të vija me ty as s’do të haja bukë, as s’do të pija ujë në këtë vend, 9 sepse kështu më qe urdhëruar me fjalën e Zotit: ‘As mos ha, as mos pi ujë, as mos u kthe rrugës nëpër të cilën ke shkuar’”!

10 Shkoi, pra, një rruge tjetër e nuk u kthye nëpër atë rrugë, nëpër të cilën kishte shkuar në Betel.

Njeriu i Hyjit dhe profeti

11 Në Betel jetonte një profet i moçëm. Bijtë e tij erdhën dhe i treguan gjithçka kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Hyjit. Ia treguan t’et edhe fjalët që ia kishte thënë mbretit. 12 I ati i pyeti: “Nga ia mbajti”? Të bijtë ia treguan udhën së cilës shkoi njeriu i Hyjit që kishte ardhur nga Juda. 13 U tha ky të bijve: “Ma shiloni gomarin”! Pasi ia shiluan, hipi në gomar, 14 u nis pas njeriut të Hyjit dhe e gjeti duke ndenjur nën një terebentinë. I tha: “A mos je ti ai njeriu i Hyjit që erdhi nga Juda”? Ai iu përgjigj: “ Unë jam”. 15 Ai i tha: “Eja me mua në shtëpi për të ngrënë bukë. ”. 16 Ai iu përgjigj: “Nuk mund të kthehem as të vij me ty. Nuk do të ha bukë, as nuk do të pi ujë në këtë vend, 17 sepse kështu më është thënë me anë të fjalës së Zotit: ‘As mos ha bukë, as mos pi ujë aty; madje as mos u kthe rrugës, nëpër të cilën të kesh shkuar’”. 18 Por ai i tha: “Edhe unë jam profet si ti; tashti edhe mua një engjëll me urdhër të Zotit më tha : ‘Bëje të kthejë ai njeri në shtëpinë tënde për të ngrënë bukë e për të pirë ujë’”.

19 E gënjeu dhe e bëri të kthehej me të. Kështu hëngri bukë në shtëpinë e tij dhe piu ujë.

20 Ndërsa ishin në tryezë, profetit që e bëri të kthehej, i erdhi fjala e Zotit 21 e profeti i bërtiti njeriut të Hyjit, që kishte ardhur nga Juda e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Pasi nuk e dëgjove fjalën e Zotit e nuk e zbatove urdhrin që ta dha Zoti, Hyji yt, 22 dhe ktheve, hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të kishte urdhëruar të mos haje bukë as të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu’”.

23 Pasi njeriu i Hyjit hëngri bukë e piu, e shiloi për vete gomarin e profetit që e ktheu, 24 u nis e shkoi. Rrugës e takoi një luan, i cili e mbyti. Kështu kufoma e tij rrinte shtrirë në rrugë. Pranë tij qëndronte gomari, po edhe luani qëndronte përskaj kufomës. 25 Njerëzit që kalonin, e panë kufomën e shtrirë në udhë edhe luanin që rrinte pranë kufomës. Ata erdhën dhe e përhapën lajmin në qytet ku jetonte profeti i moshuar. 26 Kur dëgjoi profeti që e kishte bërë të kthehej nga udha, tha: “Është ai njeriu i Hyjit që nuk e dëgjoi fjalën e Zotit dhe Zoti e la ndër kthetra të luanit. Luani e copëtoi dhe e mbyti, sipas fjalës së Zotit që e ka thënë për të”. 27 Dhe u tha bijve të vet: “Shilomani gomarin!” Ata ia shiluan. 28 Ai shkoi dhe e gjeti kufomën e tij të hedhur mes rrugës dhe gomarin e luanin që po rrinin përbri kufomës. Luani s’kishte ngrënë gjë prej kufomës as s’e kishte lënduar gomarin.

29 Profeti e mori kufomën e njeriut të Hyjit, e vuri në gomar. Profeti i moshuar u kthye në qytetin ku banonte për t’i bërë gjëmën dhe për ta varrosur. 30 Kufomën e tij e varrosi në varrin e vet dhe e vajtuan: “I mjeri unë, vëlla”!

31 Kur e varrosën, u tha bijve të vet: “ Kur të vdes unë, më varrosni edhe mua në varrin ku u varros njeriu i Hyjit: përbri eshtrave të tij vini edhe eshtrat e mi. 32 Pa farë dyshimi do të plotësohet fjala që e parafoli me urdhër të Zotit kundër lterit që është në Betel dhe kundër të gjithë tempujve të lartësirave që janë në Samari”.

33 As pas këtyre ngjarjeve Jeroboami nuk u kthye nga rruga e vet tepër e keqe, por gjithnjë vazhdoi të bëjë priftërinj për tempujt e lartësirave njerëz të marrë thjesht prej popullit: kushdo që donte, Jeroboami i jepte pushtetin e priftërisë dhe e bënte prift lartësirash.

34 Kjo gjë e bëri shtëpinë e Jeroboamit të bjerë në mëkat dhe i shkaktoi rrënimin e plotë dhe e zhduki nga faqja e dheut.

 

1 i Mbretërve: 14. Vazhdimi i mbretërisë së Jeroboamit I /93l 910/

14

1 Asokohe u sëmur Abia, biri i Jeroboamit. 2 Jeroboami i tha gruas së vet: “Çohu e ndërroji petkat që të mos njihesh se je e shoqja e Jeroboamit, dhe shko në Silo. Atje është Ahia profet, që më ka parathënë se do të mbretëroj mbi këtë popull. 3 Merr me vete dhjetë bukë, ëmbëlsira, një enë me mjaltë e shko tek ai dhe ai do të të tregojë se çfarë do të ndodhë me djalin”.

4 Gruaja e Jeroboamit bëri ashtu. U çua, shkoi në Silo dhe hyri në shtëpinë e Ahisë. Ai më nuk shihte: sytë i ishin dobësuar për shkak të pleqërisë së thellë. 5 Por Zoti i kishte thënë Ahisë: “Ja, po vjen gruaja e Jeroboamit që të marrë këshillë prej teje lidhur me djalin e vet që është i sëmurë. Thuaji kështu e kështu. Kur të hyjë tek ti do të shtiret se është një tjetër”.

6 Kur Ahia i dëgjoi hapat e saj te dera, i tha: “Hyr, nusja e Jeroboamit! Pse po mundohesh të më shtiresh se je një tjetër? Unë kam për ty lajme të këqija! 7 Shko e thuaj Jeroboamit: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të kam ngritur prej mesit të popullit. Unë të kam bërë prijës mbi popullin tim, Izraelin. 8 Unë e ndava mbretërinë prej shtëpisë së Davidit e ta dhashë ty. Por ti nuk qe si shërbëtori im Davidi. Ai i ka ruajtur urdhërimet e mia dhe ka ardhur pas meje me gjithë mend e zemër duke vepruar çka u pëlqen syve të mi. 9 Kurse ti ke vepruar keq, më zi se të gjithë ata që kanë qenë para teje: ke punuar zota të huaj e trupore për të më ngacmuar mua, kurse mua më hodhe pas shpinës sate. 10Prandaj unë do të bëj një emnesë mbi shtëpinë e Jeroboamit: do t’i shfaros të gjithë meshkujt e Jeroboamit, të madh e të vogël në Izrael, e do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit, siç fshihet plehu derisa të pastrohet plotësisht. 11 Qentë do t’i hanë ata që prej familjes së Jeroboamit do të vdesin në qytet, kurse ata që do të vdesin në fushë, do t’i hanë shpendët e ajrit’. ‑ Ja, kështu ka thënë Zoti! 12 Tani ti, çohu e shko në shtëpinë tënde! Pikërisht atëherë kur t’i vësh këmbët e tua në derën e qytetit, djali do të vdesë. 13 Mbarë Izraeli do t’i bëjë gjëmën dhe do ta varrosë: ai është i vetmi që, prej familjes së Jeroboamit, do të shtihet në varr, sepse vetëm në të është gjetur diçka në shtëpinë e Jeroboamit që i ka pëlqyer Zotit, Hyjit të Izraelit. 14 Zoti do të ngrejë një mbret për vete mbi Izraelin dhe ai do ta shuajë familjen e Jeroboamit. 15 Zoti do ta godasë Izraelin derisa të dridhet si kallami në ujë dhe do ta çrrënjosë Izraelin nga kjo tokë e mirë, që ua dha etërve të tyre e do t’i flakë përtej Lumit, sepse kanë punuar për vete banirë për ta ngacmuar Zotin. 16 Zoti do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve që ka bërë Jeroboami dhe që i ka bërë izraelitët të mëkatojnë’”.

17 U çua, pra, gruaja e Jeroboamit, u nis e shkoi në Tersë. Posa hyri brenda pragut të shtëpisë, djali vdiq. 18 E varrosën dhe e qau mbarë Izraeli, sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të shërbëtorit të vet, Ahisë profet.

19 Veprat e tjera të Jeroboamit: si luftoi dhe si mbretëroi, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit. 20 Mbretëria e Jeroboamit zgjati njëzet e dy vjet. Paskëtaj pushoi pranë etërve të vet. Në vend të tij mbretëroi Nadabi, djali i tij.

Mbretëria e Roboamit /93l‑913/

21 Roboami, biri i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ishte dyzetvjeçar kur u bë mbret. Roboami mbretëroi shtatëmbëdhjet vjet në qytetin e Jerusalemit, të cilin Zoti e zgjodhi prej të gjitha fiseve të Izraelit për të banuar aty Emri i vet. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite.

22 Edhe Juda bëri ç’është e keqe para syve të Zotit. Me mëkatet që bënë, e hidhëruan Zotin më tepër se ç’e kishin hidhëruar të gjithë të parët e tyre. 23Sepse edhe ata ndërtuan për vete lartësira, gurngulur, banira mbi çdo kodër të lartë e nën çdo lëndë plot me blerim. 24 Kishte në vend madje deri edhe lavire të kushtuara. I bënë të gjitha turpet e paganëve që Zoti i kishte dëbuar para fytyrës së bijve të Izraelit.

25 Por të pestin vit të sundimit të Roboamit, Sesaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin 26 dhe i plaçkiti visaret e shtëpisë së Zotit e të palatit mbretëror dhe rrëmbeu gjithçka: madje edhe shqytat e artë që i kishte punuar Salomoni. 27 Në vend të tyre mbreti Roboam punoi shqyta të bronztë dhe ua dorëzoi oficerëve të rojës që ruanin në derë të pallatit mbretëror. 28 Kurdo shkonte mbreti në Shtëpinë e Zotit, rojtarët i merrnin shqytat me vete dhe pastaj i kthenin në armërojtoren e rojtarëve.

29 Veprat e tjera të Roboamit dhe gjithçka ka bërë, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës. 30 Gjatë tërë kohës së jetës së tij është zhvilluar luftë ndërmjet Roboamit e Jeroboamit. 31 Po edhe Roboami fjeti bashkë me të parët e tij dhe qe varrosur bashkë me ta në Qytetin e Davidit. ‑ Emri i nënës së tij ishte Naamë. Ishte amonite. Në vend të tij u bë mbret Abiami, i biri.

 

1 i Mbretërve: 15. Mbretëria e Abiamit në Judë /913 911/

15

1 Në të tetëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, të birit të Nabatit, Abiami u bë mbret i Judës. 2 Mbretëroi në Jerusalem tre vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë. Ishte e bija e Abesalomit. 3 Ai u dha pas të gjitha mëkateve që kishte bërë i ati para tij. Zemra e tij nuk qe e ndershme ndaj Zotit, Hyjit të vet, siç ishte zemra e Davidit, stërgjyshit të tij. 4 Por, për dashuri të Davidit, Zoti, Hyji i tij ia dha një dritëz në Jerusalem duke e ngritur birin e tij pas tij për ta mbajtur gjallë Jerusalemin. 5 E kjo sepse Davidi kishte bërë ç’është e drejtë para syve të Zotit dhe gjatë krejt jetës së tij nuk iu shmang asnjë urdhri, që Zoti ia kishte dhënë, përveç në çështjen e Uri Heteut. 7 Veprat e tjera të Abiamit dhe gjithçka bëri, pse a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të Judës? Ndërmjet Abiamit e Jeroboamit u bë luftë e vazhdueshme. 8 Abiami fjeti me të parët e vet. Qe varrosur në Qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi Asa, i biri.

Mbretëria e Asës në Judë /911‑870/

9 Në të njëzetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, mbret i Judës u bë Asa. 10 Ky mbretëroi në Jerusalem dyzet e një vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë, bija e Abesalomit.

11 Asa bëri ç’është e drejtë para syve të Zotit, si Davidi, stërgjyshi i tij. 12 Ai i dëboi nga vendi laviret e kushtuara dhe i zhduki të gjithë idhujt që i punuan të parët e tij. 13 Për më tepër i hoqi të drejtën e Nënës‑Mbretëreshë nënës së vet, Maakës, sepse ajo kishte punuar një idhull të turpshëm të Aserës. Asa e copëtoi të turpshmin idhull dhe e dogji në përruan Cedron. 14 Porse lartësirat nuk i zhduku, megjithëse zemra e Asës ishte e përsosur para syve të Zotit gjatë gjithë jetës së tij. 15 Ai i solli në Shtëpinë e Zotit të gjitha gjërat e kushtuara prej t’et e prej tij: argjend, ar dhe enë.

16 Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre pati luftë. 17 Baasa, mbreti i Izraelit, e sulmoi Judën dhe zuri ta forcojë Ramën për t’ia penguar lëvizjet Asës, mbretit të Judës. 18 Atëherë Asa mori të gjithë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesarin e Shtëpisë së Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, ua dha shërbëtorëve të vet dhe i çoi te Benadadi, biri i Tabremonit, të birit të Hezionit, mbretit të Sirisë, i cili banonte në Damask. I çoi këtë porosi: 19 “Mbetet në fuqi besëlidhja ndërmjet meje e teje sikurse ndërmjet babait tënd e babait tim. Prandaj të dërgova dhuratë argjend e ar. Të lutem prishe besëlidhjen që ke me Baasën, mbretin e Izraelit, që të më hiqet qafe”! 20 Benadadi e dëgjoi mbretin Asë. Kundër qyteteve të Izraelit i dërgoi krerët e ushtrisë së vet dhe pushtuan Ahionin, Danin, Abelbetmaakën dhe mbarë Keneretin me tërë tokën e Neftaliut. 21 Kur e mori vesh Baasa, e ndërpreu fortifikimin e Ramës dhe u kthye në Tersë. 22 Atëherë mbreti Asë, bashkoi mbarë Judenë pa përjashtuar askënd; i mori gurët e lëndën e Ramës që e kishte fortifikuar Baasa. Mbreti Asë me ta fortifikoi Gabanë e Beniaminit dhe Masfën.

23 Të gjitha veprat e tjera të Asës, trimëritë e tija dhe gjithçka bëri tjetër, si dhe qytetet që i fortifikoi, pse a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? Në të vërtetë në pleqërinë e tij vuajti nga një sëmundje këmbësh. 24 Pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, babait të tij. Në vend të tij mbretëroi Jozafati, djali i tij.

Mbretëria e Nadabit në Izrael /910‑909/

25 Nadabi, biri i Jeroboamit, mbretëroi mbi Izrael në vitin e dytë të Asës, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet. 26 Bëri ç’është e keqe ndër sy të Zotit, eci udhës së babait të vet dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri të mëkatojë edhe Izraelin. 27 Baasa, biri i Ahisë, prej shtëpisë së Isaharit, i vuri pritë dhe e vrau në Gebeton, që është qytet i filistenjve, kur Nadabi e mbarë Izraeli po mbanin në rrethim Gebetonin. 28 Baasa e vrau në të tretin vit të mbretërimit të Asës në Judë dhe mbretëroi në vend të tij. 29 Pasi e mori mbretërinë në dorë, e vrau mbarë shtëpinë e Jeroboamit. S’la gjallë asnjë frymë të vetme prej farës së tij derisa ia shoi farën sipas fjalës së Zotit që e kishte thënë me anë të shërbëtorit të vet Ahisë nga Siloja 30 për shkak të mëkateve të Jeroboamit që i kishte bërë vetë, dhe të mëkateve që e kishte bërë Izraelin t’i bënte, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Hyjit të Izraelit.

31 Veprat e tjera të Nadabit dhe të gjitha trimëritë që i ka bërë, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 32 Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, u bë luftë gjatë gjithë jetës së tyre.

Mbretërimi i Baasës në Izrael /909‑886/

33 Të tretin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë u bë mbret mbi mbarë Izraelin Baasa, biri i Ahisë e mbretëroi njëzet e katër vjet. 34 Ai bëri ç’është e keqe para syve të Zotit dhe eci udhës së Jeroboamit e në mëkatin e tij me të cilin e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.

 

1 i Mbretërve: 16. Mbretërimi i Elës në Izrael /886 885/

16

1 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Jehuit, birit të Hananiut, kundër Baasës: 2 “Megjithëse unë të ngrita nga pluhuri e të bëra prijësin e popullit tim Izraelit, prapëseprapë ti ece udhës së Jeroboamit dhe bëre që të mëkatojë populli im, Izraeli, me qëllim që të më ngacmojë me mëkatet e tija, 3 ja, unë do ta fshij Baasën dhe do t’i fshij pasardhësit e familjes së tij. Shtëpinë tënde, Baasë, do ta bëj si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit! 4 Cilido prej shtëpisë së Baasës që të vdesë në qytet, do ta hanë qentë dhe cilido prej të tijve që të vdesë në fushë, do ta hanë shpendët e ajrit”.

5 Veprat e tjera të Baasës, gjithçka bëri dhe trimëritë e tija, a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 6 Edhe Baasa fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Tersë. Në vend të tij u bë mbret Ela, biri i tij.

7 Por fjala e Zotit i qe drejtuar përmes gojës së profetit Jehu, birit të Hananiut, Baasës e shtëpisë së tij jo vetëm sepse i bëri të gjitha të këqijat para syve të Zotit duke e fyer atë me veprat e duarve të veta saqë u bë i ngjashëm me shtëpinë e Jeroboamit, por edhe sepse e shfarosi familjen e tij.

Mbretërimi i Elës në Izrael /886‑885/

8 Në vitin e njëzetegjashtë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbret në Tersë mbi Izraelin u bë Ela, biri i Baasës, e mbretëroi dy vjet. 9 Kundër tij u ngrit një shërbëtor i tij, Zambriu, prijësi i gjysmës së karrocave të luftës. Ela ndodhej në Tersë, në shtëpinë e Asës, kryetarit të pallatit në Tersë. Ishte dehur duke pirë. 10 U fut, pra, Zambriu brenda, i ra dhe e vrau në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, e u bë mbret në vend të tij. 11 Si u bë mbret dhe hipi në fron, vrau mbarë familjen e Baasës. Nuk la prej tij asnjë mashkull për be, as të afërm e as miq të tij. 12 Zambriu e shfarosi mbarë shtëpinë e Baasës sipas fjalës së Zotit që e kishte folur kundër Baasës me gojën e Jehuit profet. 13 Shkak ishin mëkatet e Baasës e të birit të tij Elës, të cilët mëkatuan dhe bënë të mëkatojë Izraeli, duke e zemëruar Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të rrejshëm.

14 Veprat e tjera të Elës dhe gjithçka bëri, a nuk janë këto të shkuara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

Mbretërimi i Zambriut në Izrael /885/

15 Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë mbretëroi Zambriu shtatë ditë. Asokohe populli e kishte rrethuar Gebetonin, një qytet i filistenjve. 16 Kur populli mori vesh se Zambriu ishte çuar kundër mbretit dhe e kishte vrarë, mbarë Izraeli e shpalli për mbret të vetin Amriun, që asokohe ishte kryekomandant i ushtrisë në fushim të mbarë Izraelit. 17 Kështu, pra, Amriu e mbarë Izraeli me të lëshuan rrethimin e Gebetonit dhe e rrethuan Tersën. 18 Kur Zambriu pa se qyteti do të pushtohej, hyri në pallatin mbretëror, i dha zjarr pallatit mbretëror dhe vdiq i djegur nga zjarri 19 në mëkatet e veta që i bëri duke bërë të keqen para syve të Zotit duke jetuar udhës së Jeroboamit dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë.

20 Veprat e tjera të Zambriut si dhe kryengritja që bëri, vallë a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

21 Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit përkrahte Tebniun, birin e Ginetit, për ta bërë atë mbret, kurse gjysma tjetër e donin Amriun. 22 Por mbizotëroi populli që ishte me Amriun kundrejt popullit që përkrahte Tebniun, të birin e Ginetit. Kur Tebniu vdiq, u bë mbret Amriu.

Mbretërimi i Amriut në Izrael /885‑874/

23 Në vitin tridhjetë e një të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, mbretëroi Amriu mbi Izraelin për dymbëdhjetë vjet. Në Tersë mbretëroi gjashtë vjet. 24 Atëherë e bleu prej Somerit malin e Samarisë për dy talenta të argjendtë. Ndërtoi një qytet dhe qytetin që e ndërtoi e quajti Samari, me emrin e Somerit, pronarit të malit. 25 Amriu bëri keq ndër sy të Zotit, madje veproi edhe më keq se të gjithë të tjerët që kishin qenë para tij. 26 Eci të gjitha udhëve të Jeroboamit, birit të Nabatit, si edhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri Izraelin të mëkatojë me qëllim që ta fyenin Zotin, Hyjin e Izraelit, me anë të idhujve të kotë.

27 Veprat e tjera të Amriut si dhe luftërat e tija, që i bëri me trimëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 28 Amriu fjeti pranë të parëve të vet dhe qe varrosur në Samari. Në vend të tij mbretëroi Akabi, i biri.

Hyrje në mbretërimin e Akabit /874‑853/

29 Akabi, biri i Amriut, u bë mbret mbi Izraelin në të tridhjetetetin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës. Akabi, biri i Amriut, mbretëroi në Samari mbi Izraelin për njëzet e dy vjet. 30 Akabi, biri i Amriut, bëri keq ndër sy të Zotit më tepër se të gjithë ata që kishin qenë para tij. 31 Dhe nuk iu duk mjaft të ecë në mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, por edhe u martua me Jezabelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonëve dhe zuri t’i shërbejë Baalit e të përkulej para tij. 32 Ai ndërtoi një lter për nder të Baalit në tempullin e Baalit që kishte ndërtuar në Samari, 33 madje ndërtoi edhe banirin, bëri edhe vepra të tjera të liga duke e fyer Zotin, Hyjin e Izraelit, më tepër se të gjithë mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.

34Në ditët e tija Hieli i Betelit e rindërtoi Jerikun. Mbi Abiramin, të parëlindurin e vet, i qiti themelet e mbi Segubin, djalin e vet më të voglin, i ndërtoi dyert e tija, sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë me anë të Jozuehit, birit të Nunit.

 

1 i Mbretërve: 17. Paralajmërimi i ndëshkimit të Hyjit

17

1 Elia Tesbiu, nga Tesbiu, në tokën e Galaadit, i tha Akabit: “Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë : në këto vite s’do të bjerë as vesë as shi, përveç në thënça unë”.

Në përruan Kerit

2 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë. I tha: 3 “Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është përballë Jordanit. 4 Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar të ta sjellin ushqimin atje”.

5 Elia shkoi dhe bëri si i kishte urdhëruar Zoti. Shkoi e banoi në përruan Kerit, që është përballë Jordanit. 6 Korbat i sillnin në mëngjes bukë e mish e në mbrëmje po ashtu bukë e mish, kurse ujë pinte nga përroi. 7 Pas do kohe, përroi shteri, sepse nuk binte shi.

Në Sareptë. Mrekullia e miellit dhe e vajit

8 Atëherë Elisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha: 9 “Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë”. 10 Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thiri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi”. 11 Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë”! 12 Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy‑tri dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e per djalin tim, do ta hamë e do të vdesim”.

13 Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. 14 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit:

‘Në tinar mielli s’do të mungojë,

në qyp vaji s’do të mbarojë

derisa të vijë dita

që Zoti të falë shi mbi tokë’”.

15 Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. 16 Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.

Ngjallja e djalit të vejushës

17 Ja se ç’ndodhi pas kësaj ngjarjeje: u sëmur djali i zonjës së shtëpisë. Sëmundja qe shumë e rëndë saqë në të s’mbeti më frymë. 18 Atëherë ajo i tha Elisë: “Ç’kam unë me ty, o njeriu i Hyjit?! Erdhe tek unë që të përkujtohen mëkatet e mia për të ma vrarë djalin”! 19 Por ai i tha: “Ma jep djalin tënd”! dhe e mori prej prehrit të saj, e çoi në dhomën ku banonte ai dhe e vuri mbi shtratin e vet. 20 Atëherë e thirri Zotin në ndihmë e tha: “O Zot, Hyji im! Vallë a do ta pikëllosh deri edhe gruan e ve, tek e cila unë po banoj si i huaj i humbur, saqë bëre t’i vdesë djali”? 21 Atëherë u shtri tri herë mbi djalin, e thirri ndihmën e Zotit e tha: “O Zot, Hyji im, bëj, po të lutem, të kthehet shpirti i këtij djali në të”! 22 Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë, u kthye shpirti në djalin dhe ai u ringjall. 23 Atëherë Elia e mori djalin, e zbriti prej dhomës së sipërme poshtë në shtëpi, ia dha nënës së fëmijës e tha: “Ja, djali yt jeton”! 24 Gruaja i tha Elisë: “Tani po e di se je njeri i Hyjit dhe se fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë”.

 

1 i Mbretërve: 18. Takimi i Elisë me Abdinë

18

1 Pas shumë kohe, fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë në vitin e tretë me këto fjalë: “Shko e paraqitu tek Akabi, sepse dua të lëshoj shi mbi sipërfaqen e tokës”. 2 U nis pra, Elia për t’u takuar me Akabin.

Në Samari mbretëronte një uri e madhe fort. 3 Atëherë Akabi e thirri drejtorin e shtëpisë së vet, Abdinë. Abdia e dronte shumë Zotin. 4 E njëmend, kur Jezabela i vriste profetët e Zotit, Adbia i mori njëqind profetë dhe i fshehu nga pesëdhjetë në shpellë dhe i mbante me bukë e me ujë. 5 Kështu, pra, Akabi i tha Abdisë: “Dil nëpër vend e shko gjithkund ku ka burime të gjalla uji e në të gjitha luginat, në mos gjejmë ndokund bar që të mund t’i shpëtojmë gjallë kuaj e mushq e të mos na duhet të presim ndonjë prej bagëtive.” 6 I ndanë krahinat, të cilat do t’i kalonin njëri edhe tjetri: Akabi shkonte veçmas në njërën anë, e Abdia veçmas në anën tjetër.

7 Ndërkohë që Abdia ishte në udhëtim, dhe ja, përpara në takim i doli Elia. Abdia, pasi e njohu, ra me fytyrë përdhe e tha: “Po a mos je ti, imzot, Elia?” 8 Elia iu përgjigj: “Unë vetë! Por shko e i thuaj zotërisë tënd: ‘Është këtu Elia’”! 9 Kurse ai i tha: “Po ç’mëkat kam bërë që po më dorëzon shërbëtorin tënd në dorë të Akabit për të më vrarë? 10 Pasha jetën e Zotit, Hyjit tënd, s’ka popull as mbretëri, ku nuk ka dërguar zotëria im njerëz për të të kërkuar dhe, pasi të gjithë iu përgjigjën: ‘Nuk është këtu’, i ka bërë të përbetohen popuj e mbretëri se nuk të kanë gjetur askund. 11 E tani po më thua: ‘Shko e i thuaj zotërisë tënd: Ja, Elia’! 12 Posa të largohem prej teje, shpirti i Zotit do të të çojë në një vend që unë nuk e di, kurse unë do të shkoj e do ta lajmëroj Akabin dhe kur nuk do të të gjejë ai, do të më vrasë. E pra, shërbëtori yt e dron Zotin që prej fëmijërisë së vet! 13 Vallë, a nuk do ta kenë vënë në dijeni imzotin çfarë kam bërë kur Jezabela i vriste profetët e Zotit: se i fsheha prej profetëve të Zotit njëqind vetë, pesëdhjetë në një shpellë e pesëdhjetë në një tjetër dhe se i kam mbajtur me bukë e me ujë? 14 E tani po më urdhëron: ‘Shko e thuaj zotërisë tënd: ‘Ja, ku është Elia’!, që të më vrasë”! 15 Elia i tha: “Pasha jetën e Zotit të gjithëpushtetshëm, në shërbimin e të cilit jam unë: sot do të dal para tij”!

Elia dhe Akabi

16 Shkoi, pra, Abdia në takim me Akabin dhe i tregoi.

Akabi erdhi të takohej me Elinë. 17Posa e pa, i tha: “Këtu qenke a, o ogurziu i Izraelit”? 18 Ai iu përgjigj: “Unë nuk i sjell të keqe Izraelit, por ti dhe shtëpia e tët eti, që i keni lënë urdhërimet e Zotit dhe po i ndjek baalët! 19 Por tani mblidhe para meje mbarë Izraelin në malin e Karmelit si dhe katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit, edhe katërqind profetët e Aserës që ushqehen prej tryezës së Jezabelës”.

Flia e Karmelit

20 Akabi çoi e thirri të gjithë bijtë e Izraelit e i bashkoi profetët në malin Karmel. 21 Atëherë Elia doli para mbarë popullit e tha: “Deri kur do të çaloni në të dyja anët? Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë”! Por populli nuk iu përgjigj asnjë fjalë. 22 Atëherë Elia vazhdoi: “I vetmi kam mbetur unë si profet i Zotit, kurse profetë të Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë! 23 Le të na jepen dy mëzetër. Ata le ta zgjedhin njërin mëzat, le ta ndajnë pjesë‑pjesë e le ta vënë mbi dru, por të mos i shtien zjarr. Edhe unë do ta përgatis mëzatin tjetër dhe do ta vë mbi dru; zjarr s’do t’i shtie. 24 Thirreni në ndihmë emrin e hyjit tuaj dhe unë do ta thërras në ndihmë Emrin e Zotit. Hyji që do të përgjigjet me anë të zjarrit, është Hyji i vërtetë”. Mbarë populli u përgjigj: “Mirë e ke”!

25 Elia u tha profetëve të Baalit: “Zgjidheni ju njërin mëzat, e filloni ju, sepse jeni më shumë. Thirreni në ndihmë emrin e zotit tuaj, por mos shtini zjarr”.

26 Ata e morën mëzatin që u takoi, dhe e përgatitën. E thirrnin emrin e Baalit prej mëngjesit e deri në mesditë e thoshin: “Dëgjona ne, o Baal”! Por s’dëgjohej zë as s’kishte kush të përgjigjej. E vazhdonin duke kërcyer rreth lterit që kishin ndërtuar.

27 Kur u bë mesditë, Elia zuri t’i vërë në lojë e u thoshte: “Bërtitni më të madhe, sepse ai është hyj: do të jetë i zënë me punë, do të jetë ndokund për rrugë ose sigurisht e ka zënë gjumi e zgjojeni”. 28 Ata zunë të bërtisnin me zë më të madh dhe, sipas ritit të tyre, thereshin me thika e me shigjeta derisa i mbuloi gjaku.

29 Por, pasi kaloi mesdita e, ndërsa ata ende po profetizonin, erdhi koha kur është zakon të kushtohet flia, e nuk dëgjohej zë as s’ishte askush që t’u përgjigjej e t’i dëgjonte këta që po luteshin, 30 Elia i tha popullit mbarë: “Afrohuni tek unë”! Mbarë populli iu afrua; Elia, si e ndreqi lterin e Zotit që kishte qenë rrënuar, 31 mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të dymbëdhjetë fiseve të Jakobit, të cilit i kishte qenë drejtuar fjala e Zotit: “Ti do të quhesh Izrael”! 32 Me gurë ndreqi lterin në Emër të Zotit, hapi përreth lterit një kanal të gjerë aq sa të mund të nxërë dy masë grurë, 33 i vendosi drutë, e ndau gjymtyrë ‑ gjymtyrë mëzatin dhe e vuri mbi dru 34 e tha: “Mbushni me ujë katër shtamba dhe derdhni mbi flinë e shkrumbimit e mbi dru”. Përsëri foli: “Bëni kështu edhe një herë”! Këta, pasi bënë ashtu edhe herën e dytë, ai u tha: “Bëni po ashtu edhe herën e tretë”! Bënë ashtu edhe të tretën herë 35 e ujët rridhte rreth e rreth lterit, saqë u mbush kanali me ujë. 36 Pasi erdhi koha që të kushtohej flia, si u afrua Elia profet, tha: “O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit, dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto i kam bërë me urdhrin tënd. 37 Më dëgjo, o Zot, më dëgjo, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri”!

38 Dhe ra zjarri i Zotit dhe e përpiu flinë e shkrumbimit, drutë, gurët, pluhurin, e thithi deri edhe ujin në kanal.

39 Populli, posa e pa këtë gjë, ra përmbys me fytyrë përdhe e tha: “Zoti është Hyj, Zoti është Hyj”! 40 Elia u tha: “Kapni profetët e Baalit dhe asnjë të mos ju shpëtojë”! Ata i kapën të gjithë e Elia i çoi në përruan Cison dhe aty i vrau të gjithë.

Mbarimi i thatësisë

41 Elia i tha Akabit: “Ngjitu lart, ha e pi, sepse dëgjohet ushtima e shiut të madh”! 42 Ndërsa Akabi po ngjitej lart për të ngrënë e pirë, Elia u ngjit në majë të Karmelit, u ul për tokë dhe e fshehu fytyrën ndërmjet gjunjëve, 43 e i tha djaloshit të vet: “Ngjitu lart e shiko drejt detit”. Ky u ngjit, e hodhi shikimin e tha: “Asgjë nuk hetoj”. Përsëri i tha: “Kthehu shtatë herë”! 44 Të shtatën herë djaloshi tha: “Ja, një re e vocërr, pothuaj sa dora e njeriut, po ngrihet nga deti”. Atëherë Elia i tha: “Ngjitu e thuaj Akabit: Mbërthe e zbrit që të të mos zërë shiu”!

45 Menjëherë u terratis qielli prej resh e prej duhmës dhe ra një shi i rëndë. Akabi hipi në karrocë dhe shkoi në Jezrahel. Dora e Zotit ishte mbi Elinë, si i shtrëngoi ijët, vraponte para Akabit derisa arriti në Jezrahel.

 

1 i Mbretërve: 19. Në udhëtim drejt Horebit

19

1 Akabi i tregoi Jezabelës gjithçka bëri Elia dhe si i kishte prerë me shpatë të gjithë profetët. 2 Atëherë Jezabela nisi tek Elia një kasnec me këto fjalë: “Kështu e kështu e më zi ma bëfshin zotat, në qoftë se nesër, po në të njejtën orë, nuk do të bëj me jetën tënde ashtu siç bëre ti me jetën e secilit prej tyre”.

3 U tremb, pra, Elia, u çua e shkoi për të shpëtuar jetën. Kur arriti në Bersabenë e Judës, aty e nisi të shkojë shërbëtorin e vet. 4 Ai vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi”! 5 Atëherë ra e fjeti në hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha”!

6 I hapi sytë, dhe ja, te koka e tij një bukë e pjekur në vatër të skuqur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. 7 Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë”. 8 Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb.

Takimi me Hyjin

9 Si arriti atje, natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli”? 10 Ai u përgjigj: “Jam plot zell për Zotin, Hyjin e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e lanë besëlidhjen tënde, i rrënuan lterët e tu dhe i prenë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë, po edhe mua kërkojnë të ma marrin jetën.” 11Ai i tha: “Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit”. Dhe ja, po kalonte Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! 12 Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. 13 Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës dhe, ja një zë që i tha: “Çka po bën këtu, Eli”? 14 Ai u përgjigj: “Jam plot zell për Zotin, Hyjin e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e lanë besëlidhjen tënde, i rrënuan lterët e tu e profetët e tu i vranë me shpatë: kam mbetur vetëm unë, po edhe mua kërkojnë të ma marrin jetën”.

15 Zoti i tha: “Çohu e kthehu rrugës sate në drejtim të shketëtirës së Damaskut. Kur të kesh mbërritur atje, lyeje Hazaelin për mbret të Sirisë, 16 kurse Jehuin, birin e Namsiut, lyeje mbret mbi Izraelin, ndërsa Elizeun, birin e Safatit, që është në Abelmehulë, shuguroje profet në vendin tënd. 17 Kështu do të ndodhë: Kush t’i shpëtojë shpatës së Hazaelit, do ta vrasë Jehui, e kush t’i shpëtojë shpatës së Jehuit, do ta vrasë Elizeu. 18 Unë për vete do të lë në Izrael shtatë mijë vetë: të gjithë gjunjët që nuk u përkulën para Baalit dhe çdo gojë që nuk e puthi atë”.

Thirrja e Elizeut

19 U nis, pra, prej andej Elia dhe e gjeti Elizeun, birin e Safatit, duke lëvruar me dymbëdhjetë pendë qe; Elizeu ishte tek e dymbëdhjeta pendë. Kur u avit Elia tek ai, e hodhi leshnikun e vet mbi të. 20 Ky menjëherë i la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: “Më lejo, të lutem, të përqafohem me babain e me nënën time dhe atëherë po vij pas teje”. Ai i tha: “Shko e kthehu! Sepse e di se çfarë kam bërë me ty”.

21 U kthye prej tij, mori një pendë qe e i preu fli. Me veglat e lëvrimit e zjeu mishin dhe ua dha njerëzve ta hanin. Pastaj u çua, shkoi pas Elisë dhe u vu në shërbimin e tij.

1 i Mbretërve: 20. Rrethimi i Samarisë

20

1 Benadadi, mbreti i Sirisë, e mblodhi mbarë ushtrinë e vet‑ me të ishin edhe tridhjetë e dy mbretër, me kuaj e me karroca lufte. U nis kundër Samarisë dhe e rrethoi për ta pushtuar. 2 Dërgoi lajmëtarë tek Akabi, mbreti i Izraelit, në qytet 3 e i tha: “Kështu thotë Benadadi: Imi është argjendi yt e ari yt, gratë e tua dhe djemtë e tu, ata më të mirët, janë të mitë”. 4Mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Le të jetë ashtu siç thua ti, mbret, zotëria im! Yti jam unë me gjithçka kam”.

5 Por lajmëtarët u rikthyen e thanë: “Kështu thotë Benadadi: Të kam urdhëruar: ‘M’i jep argjendin tënd, arin tënd, gratë e tua e fëmijët e tu’. 6 Kështu pra, nesër, po në këtë orë, do t’i dërgoj shërbëtorët e mi tek ti. Ata do ta kërkojnë shtëpinë tënde e shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe gjithçka të gjejnë që është e çmueshme për sytë e tu, do të vënë dorë mbi të e do ta marrin”.

7 Mbreti i thirri të gjithë krerët e vendit dhe u tha: “Shikoni e shihni se ky do të na e bëjë të keqen, sepse dërgoi të m’i kërkojë gratë e mia, fëmijët, argjendin e arin dhe unë nuk ia mohova”. 8 Të gjithë krerët dhe mbarë populli i thanë: “Mos e dëgjo as mos i prano”! 9 Këndej, pra, iu përgjigj kasnecëve të Benadadit: “Tregoni zotërisë tim, mbretit: Gjithçka ke kërkuar nga shërbëtori yt herën e parë, do ta plotësoj; por këtë gjë nuk mund ta bëj.” Lajmëtarët u kthyen dhe i treguan. 10 Ai i nisi përsëri e tha: “Kështu e kështu e më zi ma bëfshin zotat, nëse pluhuri i Samarisë do të mjaftojë për të mbushur grushtin të gjithë njerëzit që do të vijnë me mua”! 11Atëherë mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Thoni lirisht: Të mos lëvdohet ai që e ngjesh shpatën si ai që e zhgjesh”! 12 Benadadi, posa i dëgjoi këto fjalë ‑ ishte duke pirë me mbretërit në çadra ‑ u urdhëroi shërbëtorve të vet: “Rrethojeni qytetin”! Dhe ata e rrethuan.

Fitorja e izraelitëve

13 Dhe ja, një profet u afrua tek Akabi mbret e i tha: “Kështu thotë Zoti:’Do ta kesh parë patjetër gjithë këtë shumicë të madhe! Ja, pra, unë sot do të ta lëshoj në dorën tënde që ta dish se unë jam Zoti”! 14 Akabi pyeti: “Me anë të kujt”? Ai i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Me anë të djelmoshave të qeveritarëve të krahinave”. E pyeti: “Kush do ta fillojë luftën?” Ai iu përgjigj: “Ti”!

15 I rreshtoi djelmoshat e qeveritarëve të krahinave: ishin dyqind e tridhjetë e dy. Pas tyre rreshtoi mbarë ushtrinë e Izraelit: ishin shtatë mijë. 16 Këta dolën në mesditë ndërsa Benadadi i dehur po pinte në çadra me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë. 17 Djelmoshat e qeveritarëve të krahinave dolën të parët në vijën e frontit. Benadadi kërkoi ta njoftonin. I treguan: “Disa njerëz kanë dalë prej Samarisë”.

18 Ai dha urdhër: “Si në paçin dalë për paqe, kapni gjallë, si në paçin dalë për të luftuar, kapni gjallë”.

19 Kishin dalë, pra, prej qytetit djelmoshat e qeveritarëve të krahinave, kurse ushtira vinte pas tyre. 20 Secili djalosh vrau atë që i vinte përballë. Sirianëve iu dha ikja, kurse izraelitët i ndoqën. Iku gjithashtu me kalë edhe Benadadi, mbreti i Sirisë, e me të edhe kalorësit. 21 Doli edhe mbreti i Izraelit. Ai zuri robër kuaj e karroca dhe i shkaktoi Sirisë humbje të madhe.

Ndërkohë

22 Profeti u afrua te mbreti i Izraelit e i tha: “Të lumtë! Mos e humb guximin, por kujdes! Shqyrto e mendo mirë çfarë duhet të bësh, sepse në vitin e ardhshëm mbreti i Sirisë do të të sulmojë”!

23 Kurse shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: “Hyji i tyre është Hyj malesh, prandaj na mundën; por ne do të luftojmë kundër tyre në rrafsh dhe do të fitojmë. 24 Prandaj bëj kështu: Shkarko prej detyre të gjithë mbretërit e në vend të tyre vër prijës. 25 Pastaj bashko ushtri të madhe sa ç’ka qenë ajo që humbe, aq kuaj sa ç’kanë qenë ata më parë, aq karroca lufte sa ç’ishin ato më parë, do të luftojmë kundër tyre në rrafshinë, dhe do të shohësh se do t’i mundim”. Ai i besoi këshillit të tyre dhe ashtu bëri.

Fitorja e Afekut

26 Në fillim të vitit të ardhshëm, Benadadi, pra, i mblodhi sirianët dhe u ngjit në Afek për të luftuar kundër Izraelit. 27 Po ashtu u bashkuan edhe bijtë e Izraelit dhe, duke marrë me vete ushqimet, u nisën kundër tyre. Izralitët ngulën fushimin përballë tyre: ishin si dy mrete të vogla dhish, kurse sirianët kishin mbuluar vendin.

28 Një njeri i Hyjit u afrua te mbreti i Izraelit e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Pasi sirianët thanë: Zoti është Hyji i maleve e jo edhe i rrafshinave, gjithë këtë mori të madhe do ta lëshoj në duart e tua e kështu do ta dini se unë jam Zoti”.

29 Për shtatë ditë qëndruan të fushuar njëri përballë tjetrit. Të shtatën ditë plasi luftimi. Bijtë e Izraelit i vranë në një ditë njëqind mijë këmbësorë sirianë. 30 Ata që në Afek mbetën gjallë, ikën në qytet, por mbi njëzet e shtatë mijë vetë që patën mbetur gjallë, u rrëzuan muret.

Iku edhe Benadadi. Hyri në qytet dhe u ndry në një dhomë të fshehtë. 31 Shërbëtorët e tij i thanë: “Kemi dëgjuar se mbretërit e Shtëpisë së Izraelit janë zemërdhimbshëm: t’i ngjeshim, pra, ijët me grathore, t’i vëmë litarët në qafat tona dhe të dalim para mbretit të Izraelit: ndoshta ta fal jetën”.

32 I ngjeshën rreth ijëve grathoret, i vunë rreth qafe litarët, dolën para mbretit të Izraelit dhe thanë: “Shërbëtori yt Benadadi thotë: Të lutem, ma fal jetën”! Ai iu përgjigj: “Nëse është ende gjallë, vëlla e kam”.

33 Njerëzit hetuan një shenjë të mirë e shpejtuan ta kapin për fjale. I thanë: “Benadadin e ke vëlla”! Akabi u përgjigj: “Shkoni e silleni”! Erdhi, pra, Benadadi tek ai e ky e vuri në karrocën e vet. 34 Atëherë Benadadi i tha: “Do t’i kthej qytetet që im atë ia mori babait tënd; ti hapi tregjet e tua në Damask, siç i ka pasë hapur im atë në Samari”. Akabi tha: “Atëherë me këtë kusht po të lë të shkosh”. Bëri me të besëlidhje dhe e la të shkojë.

Profeti e prozhmon Akabin

35 Atëherë njëri prej bijve të profetëve me urdhër të Zotit i tha shokut të vet: “Më bjer!” Por ai nuk deshi t’i bjerë. 36 Ai i tha: “Pasi s’deshe ta dëgjosh urdhrin e Zotit, ja, posa të largohesh prej meje, do të të copëtojë luani!” Posa u largua prej tij, hasi një luan dhe luani e copëtoi. 37 Profeti takoi një tjetër njeri dhe i tha: “Më rrah”! Ai e rrahu dhe e plagosi. 38 Profeti shkoi, i doli mbretit shul në rrugë, vuri mbi sy një lidhëse për të mos e njohur. 39 Kur po kalonte mbreti, ai bërtiti e i tha mbretit: “Shërbëtori yt ka marrë pjesë në luftim personalisht, dhe ja, prej rreshtit të luftimit doli një njeri e ma dorëzoi një të ikur e më tha: ‘Ruaje këtë njeri! Në qoftë se të ikën, jeta jote do të shkojë në vend të jetës së tij ose do të paguash një talent’. 40 Tashti, ndërsa unë, shërbëtori yt, isha i zënë me punë e po sillesha andej e këndej, ai u zhduk”. Atëherë mbreti i Izraelit iu përgjigj: “Ti vetë e caktove dënimin tënd”.

41 Ai menjëherë e hoqi lidhësen prej syve të vet dhe mbreti i Izraelit e njohu se ishte një prej profetëve. 42 Profeti i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Pasi e lëshove prej duarve të tua njeriun që e kisha ngarkuar me dënimin e vdekjes, në vend të jetës së tij do të shkojë jeta jote, e në vend të popullit të tij, populli yt”.

43 Mbreti i Izraelit u kthye në Samari e shkoi në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët.

1 i Mbretërve: 21. Naboti s’dëgjon ta lëshojë vreshtin e vet

21

1 Pas këtyre ngjarjeve ja se çfarë ndodhi: Naboti prej Jezrahelit kishte një vresht në Jezrahel afër pallatit të Akabit, mbretit të Samarisë. 2 Akabi i tha Nabotit: “Ma jep vreshtin tënd, se dua ta bëj kopsht perimesh pasi e kam afër e pranë shtëpisë sime. Unë do të të jap për të një vresht më të mirë ose, në qoftë se ty të pëlqen më tepër, vlerën e tij ta jap në të holla”. 3 Naboti iu përgjigj: “Zoti mos e thëntë që unë të ta jap trashëgimin e të parëve të mi”!

Akabi dhe Jezabela

4 Akabi u kthye në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët për shkak të fjalës që ia tha Naboti Jezrahelas: “Nuk do të ta jap trashëgimin e të parëve të mi”. Ra në shtrojën e vet, u kthye me fytyrë nga muri dhe nuk dëgjoi të hajë bukë. 5 Hyri tek ai Jezabela, gruaja e tij, dhe e pyeti: “Pse je prishur kështu? Pse s’ afrohesh për të ngrënë bukë”? 6 Ai u përgjigj: “Sepse bisedova me Nabotin Jezrahelas e i thashë: Ma jep vreshtin tënd e merri paratë; ose, nëse ti do, të të jap një vresht tjetër për të. Por ai m’u përgjigj: ‘Nuk ta jap vreshtin tim’”. 7Atëherë Jezabela, gruaja e tij, i tha: “Hajt, o njeri! Po a s’ je ti mbreti i Izraelit? Çohu dhe ha e mos e vra mendjen, sepse unë do të ta jap vreshtin e Nabotit jezrahelas”!

Vrasja e Nabotit

8 Jezabela mori e shkroi disa letra në emër të Akabit, i vulosi me unazën e tij dhe ua dërgoi krerëve dhe njerëzve me rëndësi që ishin në qytetin e tij dhe banonin me Nabotin. 9 Në letra ajo shkruante kështu: “Shpallni agjërim dhe caktoni që në krye të vendit në mbledhje të rrijë Naboti. 10 Vini përballë tij dy vetë, njerëz të poshtër, që të dëshmojnë kundër tij e të thonë: ‘Ti e ke mallkuar Hyjin dhe mbretin!’; atëherë nxirreni jashtë e vriteni me gurë që të vdesë”.

11 Qytetarët e Nabotit, pleqtë e krerët e tij, që banonin me të në qytet, bënë siç u kishte urdhëruar Jezabela dhe si ishte e shkruar në letrat që u kishte dërguar. 12 Shpallën agjërimin, e vunë Nabotin në krye të mbledhjes, 13 dolën dy njerëz të poshtër, u ulën përballë tij dhe këta, si njerëz të pashpirt që ishin, bënë dëshmi kundër tij para bashkësisë: “Naboti e ka mallkuar Hyjin dhe mbretin”. Për këtë arsye e nxorën jashtë qytetit dhe e mbytën me gurë. 14 Pastaj i çuan lajmin Jezabelës: “Naboti u vra me gurë dhe vdiq”.

15 Kur e mori Jezabela lajmin se Naboti ishte vrarë me gurë dhe se kishte vdekur, i tha Akabit: “Çohu e zotëroje vreshtin e Nabotit jezrahelas që nuk deshi ta shiste; Naboti nuk është më gjallë, na e mori të keqen!” 16 Kur e mori vesh Akabi se kishte vdekur Naboti, u çua e zbriti në vreshtin e Nabotit jezrahelas për ta marrë në zotërim.

Elia kumton dënimin e Hyjit

17 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Elisë prej Tesbiut. I tha: 18 “Çohu dhe zbrit për t’u takuar me Akabin, mbretin e Izraelit, që është në Samari. Ja, do ta gjesh në vreshtin e Nabotit, ku ka zbritur për ta marrë në zotërim. 19 Fol me të e thuaj: Kështu thotë Zoti: Vrave dhe tani po plaçkit! Pastaj shto: Kështu thotë Zoti: Në atë vend ku qentë lëpinë gjakun e Nabotit, do të llapin edhe gjakun tënd”! 20 Akabi i tha Elisë: “A më zure në faj, o armiku im”? Ai iu përgjigj: “Të gjeta, po, sepse je shitur për të bërë të keqen para syve të Zotit. 21 Ja, veçse ende nuk ta kam ngjeshur të keqen mbi ty, sepse do të fshij me të parë e të mbramë të Akabit gjithsa janë meshkuj, të madh e të vogël në Izrael! 22 Dhe do të bëj me familjen tënde siç kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit, dhe siç bëra me shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë, sepse ke vepruar për të më nxitur që të hidhërohem dhe sepse e bëre Izraelin të mëkatojë. 23 Po edhe për Jezabelën Zoti ka thënë: ‘Qentë do ta hanë Jezabelën në fushën e Jezrahelit. 24 Kush të vdesë në qytet prej shtëpisë së Akabit, qentë do ta hanë, e kush të vdesë në fushë, shpendët e ajrit do ta hanë”.

25 Me të vërtetë nuk pati një tjetër të tillë si Akabi që e shiti veten për të bërë të keqen para syve të Zotit. Sepse e ngashnjeu gruaja e tij Jezabela, 26 u bë aq tmerrësisht i përbuzshëm, saqë i ndoqi idhujt sipas të gjitha poshtërsive që kishin bërë amorrenjtë, të cilët Zoti i shfarosi para fytyrës së bijve të Izraelit.

Pendimi i Akabit

27 Kur i dëgjoi Akabi këto fjalë, i shqeu petkat e veta, trupin e vet e ngjeshi me grathore, agjëroi, flinte në grathore dhe ecte kokulur. 28 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar Elisë Tesbit. I tha: 29 “A ke parë se si është përulur Akabi para meje? Pasi e ka përulur vetveten për shkakun tim, nuk do t’ia çoj të keqen sa të jetë gjallë, por familjes se tij do t’ ia çoj të keqen gjatë ditëve të birit të tij”.

1 i Mbretërve: 22. Akabi ndërmerr një fushatë kundër Ramotit të Galaadit

22

1 Kaluan tre vjet pa luftë ndërmjet Sirisë e Izraelit. 2 Të tretin vit zbriti Jozafati, mbreti i Judës, te mbreti i Izraelit. 3 Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të vet: “A nuk e dini se Ramoti i Galaadit është yni? E ne nuk bëmë asgjë për ta marrë prej dorës së mbretit të Sirisë”. 4 Atëherë i tha Jozafatit: “A do të vish me mua për të luftuar në Ramotin e Galaadit”? Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit: 5 “Ç’do të ndodhë me mua, do të ndodhë me ty: populli im e populli yt janë një, kuajt e mi janë kuajt e tu”!

Profetët e rrejshëm parakallëzojnë sukses

Jozafati i tha mbretit të Izraelit: “Kërkoje mu sot fjalën e Zotit”!

6 Prandaj edhe i bashkoi mbreti i Izraelit profetët, rreth katërqind, e u tha: “A mund të shkoj të bëj luftë në Ramotin e Galaadit, apo të mos shkoj”? Ata iu përgjigjën: “Shko! Zoti e lëshon në dorën e mbretit”! 7 Por Jozafati pyeti: “A mos ka këtu edhe ndonjë profet tjetër të Zotit që ta pyesim”? 8 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Është vetëm edhe një njeri, me anën e të cilit do të mund ta pyesnim Zotin, por unë atë nuk e duroj, sepse ai nuk më parakallëzon të mirën, por të keqen: është Mikeja, biri i Jemlës”. E Jozafati i tha: “Mos fol ashtu, o mbret”! 9 Kështu, pra, mbreti i Izraelit thirri një nëpunës e i tha: “Shpejto e bjere këtu Mikenë, birin e Jemlës”.

10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, rrinin secili në fronin e vet, të veshur me veshje mbretërore, në shesh afër hyrjes së qytetit të Samarisë dhe të gjithë profetët profetizonin para tyre. 11 Sedecia, biri i Kanaanës, punoi për vete brirë hekuri e tha: “Kështu thotë Zoti: Me këta brirë do ta shporosh Sirinë derisa ta qesësh fare”. 12 Po në këtë mënyrë profetizonin edhe të gjithë profetët e tjerë e thoshin: “Ngjitu në Ramotin e Galaadit e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit”.

Mikeja profet parakallëzon dështim

13 Lajmëtari që shkoi ta ftojë Mikenë, i tha: “Ja, fjalët e profetëve: të gjithë njëzëri i parakallëzojnë mbretit mirë. Tashti edhe fjala jote le të jetë e mirë dhe parakallëzo sukses”! 14 Por Mikeja iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë, do të flas vetëm gjithçka të më thotë Zoti”!

15 Erdhi, pra, te mbreti e mbreti i tha: “Mikè, a të shkojmë, a të mos shkojmë në Ramotin e Galaadit për të luftuar”? Ai iu përgjigj: “Shko e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit”! 16 Porse mbreti i tha: “Prapë e prapë po të përbej të mos më folësh tjetër përveç së vërtetës në emër të Zotit”.

17 Atëherë ai i tha:

“Po e shoh mbarë Izraelin

të shpërndarë nëpër male

porsi delet që s’kanë bari.

E Zoti thotë: ‘Këta njerëz nuk kanë prijës; secili le të kthehet në paqe në shtëpinë e vet”!

18 Prandaj edhe mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të thashë se ky nuk ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen”?

19 Mikeja shtoi: “Për këtë arsye dëgjo fjalën e Zotit: E kam parë Zotin ndenjur mbi fronin e vet dhe mbarë ushtria qiellore qëndronte në këmbë në të djathtë e në të majtë të tij. 20 E Zoti foli: ‘Kush do ta ngashnjejë Akabin që të shkojë e të mbesë i vrarë në Ramotin e Galaadit’? Dikush fliste në një mënyrë e dikush në një tjetër. 21 Atëherë hyri një shpirt, qëndroi para Zotit e tha: ‘Unë do ta gënjej!’ E Zoti e pyeti: ‘Në ç’mënyrë’? 22 Ai tha: ‘Do të shkoj e do të bëhem shpirt gënjeshtari në gojën e të gjithë profetëve të tij.’ E Zoti i tha: ‘Do ta gënjesh e do t’ia dalësh! Shko e bëj ashtu’!

23 Kështu, pra, Zoti e ka futur shpirtin rrenacak në gojën e të gjithë këtyre profetëve të tu, që janë këtu; por Zoti lidhur me ty lajmëron kob”.

24 Atëherë u afrua Sedecia, biri i Kanaanës, dhe i ra Mikesë flakaresh e i tha: “Nga doli shpirti i Zotit prej meje për të folur me ty”? 25 Mikeja iu përgjigj: “Do ta shohësh atë ditë, kur do të hysh nga një dhomë në tjetrën për t’u fshehur”! 26 Foli mbreti i Izraelit: “Kape Mikenë dhe çoje te Amoni, kryetari i qytetit, dhe te Joasi, djali i mbretit 27 dhe thuaju: ‘Kështu urdhëron mbreti: Futeni këtë njeri në burg dhe mbajeni vetëm me bukë e ujë sa t’i mbahet fryma derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë’”. 28 Mikeja tha: “Nëse ti do të kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje.” E shtoi: “Dëgjoni, o popuj, të gjithë”!

Vdekja e Akabit në Ramot të Galaadit

29 Shkuan, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, në Ramotin e Galaadit. 30 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “Për të hyrë në luftë vetë do t’i ndërroj petkat, kurse ti mos i ndërro petkat e tua”. Mbreti i Izraelit i ndërroi petkat e ra në luftë. 31 Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të karrocave të luftës: “Mos sulmoni as të voglin as të madhin, por vetëm mbretin e Izraelit”. 32 Kur prijësit e karrocave të luftës e panë Jozafatin, e morën për mbretin e Izraelit dhe u versulën në luftë kundër tij. Jozafati bërtiti. 33 Prijësit e karrocave të luftës e morën vesh se s’ishte mbreti i Izraelit, dhe u tërhoqën prej tij.

34 Një njeri e tendosi harkun dhe pa shënuar e lëshoi shigjetën dhe i ra mbretit të Izraelit ndërmjet brezit e pancirit. Ai atëherë i tha karrocëtarit të vet: “Kthehu e më nxirr nga lufta se jam i plagosur rëndë”. 35 Atë ditë lufta u ashpërsua shumë; megjithatë mbreti qëndronte në këmbë në karrocën e tij ballë për ballë me sirianët. Vdiq në mbrëmje. Prej plagës gjaku i ishte derdhur në karrocë. 36 Në perëndimin e diellit nëpër mbarë ushtrinë u hap zëri: “Secili le të kthehet në qytetin e vet e në vendin e vet”!

37 Mbreti, pra, vdiq dhe qe bartur në Samari. Mbretin e varrosën në Samari. 38 Karrocën e tij e lanë në peshkoren e Samarisë dhe qentë e llapën gjakun e tij, po edhe laviret u lanë sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë.

6. PAS VDEKJES SË AKABIT

Përfundimi i mbretërisë së Akabit

39 Veprat e tjera të Akabit dhe gjithçka bëri ai, si dhe shtëpia prej fildishit, të gjitha qytetet që i ndërtoi, pse a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 40 Akabi pushoi pranë të parëve të vet. Në vend të tij u bë mbret Ohozia, i biri.

Mbretërimi i Jozafatit në Jude /870‑848/

41 Kurse Jozafati, biri i Asës, u bë mbret i Judës në vitin e katërt të Akabit, mbretit të Izraelit. 42 Ishte tridhjetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selahut. 43 Eci udhës së babait të vet, Asës, dhe nuk iu shmang asaj. Bëri çka ishte e drejtë para syve të Zotit. 44 Megjithatë lartësirat nuk i zhduku; sepse populli gjithnjë flijonte dhe digjte kem në lartësira. 45 Porse Jozafati bëri paqe me mbretërit e Izraelit.

46 Veprat e tjera të Jozafatit dhe trimëritë si dhe luftërat që i bëri, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

47 Ai i dëboi prej vendit edhe laviret e kushtuara që kishin mbetur në kohën e Asës, babait të tij. 48 Asohere nuk kishte mbret në Edom, por qeveritar të mbretit. 49 Mbreti Jozafat ndërtoi edhe flotën e Tarsit për të lundruar në Ofir e për të sjellë ar; por nuk shkuan, sepse u thyen në Asiongaber. 50 Atëherë Okozia, biri i Akabit, i tha Jozafatit: “Le të shkojnë shërbëtorët e mi me shërbëtorët e tu në anije”, por Jozafati nuk deshi.

51 Jozafati pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, stërgjyshit të vet. Në vend të tij u bë mbret Jorami, i biri.

Mbreti Okozia i Izraelit /853‑852/ dhe Elia profet

52 Okozia, biri i Akabit, kishte filluar të mbretëronte në Samari mbi Izraelin në vitin e shtatëmbëdhjet të mbretërimit të Jozafatit, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet. 53 Bëri të keqen ndër sytë e Zotit dhe eci udhës së babait të vet e të nënës së vet dhe udhës së Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e ngashnjeu Izraelin të mëkatonte. 54 I shërbeu Baalit dhe e adhuronte. Kështu e hidhëroi Zotin, Hyjin e Izraelit, pikërisht siç kishte vepruar i ati i tij.