Marku: 1. Predikimi i Gjon Pagëzuesit

1

1 Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit.

2Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet:

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje

që do ta bëjë gati udhën tënde;

3 është zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë:

‘bëni gati udhën e Zotërisë,

rrafshoni shtigjet e tij!’“,

4 në shkretëtirë u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. 5 Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan.

6 Gjoni ishte i veshur me një petk prej leshi deveje e rreth ijesh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër.

7Në predikimet e veta thoshte:

“Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tij. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.”

Pagëzimi i Jezusit

(Mt 3, 13‑17; Lk 3, 21‑22)

9 Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. 10 Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, 11kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir ‑ Djali i dishirit! Ty të miratova!”

Djalli e vë në provë Jezusin

(Mt 4, 1‑11; Lk 4, 1‑13)

12 Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë. 13 Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.

Jezusi fillon veprimtarinë në Galile

(Mt 4, 12‑17; Lk 4, 14‑15)

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

Thirrja e katër peshkatarëve

(Mt 4, 18‑22; Lk 5, 1‑11)

16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. 19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

Njeriu që kishte djallin në trup

(Lk 4, 31‑37)

21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.

23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:

24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

25 Jezusi iu kërcënua:

“Hesht dhe dil prej tij!”

26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Ç’u bë kështu!?”

“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”

“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”

28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.

Shërime të shumta në popull

(Mt 8, 14‑17; Lk 4, 38‑41)

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.          30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.

Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

Jezusi qarkullon Galilenë

(Lk 4, 42‑44)

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë:

“Të gjithë po të kërkojnë.”

38 Ai u tha:

“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

Shërimi i një të gërbuluri

(Mt 8, 1‑4; Lk 5, 12‑16)

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:

44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

Marku: 2. Shërimi i të pikuarit

2

1 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin. 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari. 5 Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit:

“Biro, të janë falur mëkatet!”

6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?” 8 Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha:

9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë: 11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!”

12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin:

“Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”

Thirrja e Levit

(Mt 9, 9‑13; Lk 5, 27‑32)

13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:

“Eja pas meje!”

Ai u çua dhe shkoi pas tij.

15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:

“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”

17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”

Diskutim mbi agjërimin

(Mt 9, 14‑17; Lk 5, 33‑39)

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:

“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

19 Jezusi u përgjigj:

“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.

22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”

Shkokëlim kallinjësh të shtunën

(Mt 12, 1‑8; Lk 6, 1‑5)

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj.               24 Farisenjtë atëherë po i thonë:

“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

25 Jezusi u përgjigj:

“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”

27 Atëherë u thoshte edhe këtë:

“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”

Marku: 3. Njeriu me dorë të thatë

3

1 Jezusi hyri përsëri në sinagogë. Aty ndodhej një njeri me dorë të thatë.

2 Ata e ruanin pale a do ta shërojë të shtunën, që të mund ta paditnin. 3Ai i tha njeriut me dorë të thatë:

“Çohu e dil para të gjithëve!”

4 Kurse ata i pyeti:

“Çka lejon Ligji? Të bësh të shtunën mirë apo keq? T’ia shpëtosh njeriut jetën apo t’ia marrësh?”

Por ata heshtnin.

5 Atëherë Jezusi, i pikëlluar për shkak të ngurtësisë së zemrës së tyre, i shikoi rreth e rrotull me hidhërim e i tha njeriut:

“Shtrije dorën!”

Ai e shtriu dorën dhe ajo iu shërua.

6 Farisenjtë dolën jashtë dhe menjëherë u tubuan në këshillim me herodianët kundër tij si ta gjejnë mënyrën për ta vrarë.

Turma të tëra shkojnë pas Jezusit

7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.

9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte. 10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 11E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është.

Zgjedhja e të Dymbëdhjetëve

(Mt 10, 1‑4; Lk 6, 12‑16; Vap 1, 13)

13 Pastaj u ngjit në një mal e i thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. 14 Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, 15 e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë. 16 [I emëroi, pra, të Dymbëdhjetët:] Simonin ‑ të cilit ia ngjiti emrin Pjetër, 17 Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij, që i quajti: Boanerges, që do të thotë: Bijtë e rrufesë; 18 pastaj Andreun, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Tomën, Jakobin e Alfeut, Tadeun, Simonin Kananeas 19 dhe Judën Iskariot, i cili edhe e tradhtoi.

Jezusi dhe Beelzebuli

(Mt 12, 22‑32; Lk 11, 14‑23; 12, 10)

20Jezusi u kthye në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. 21 Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.”

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:

“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”

23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:

“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30 Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

Nëna dhe vëllëzërit e Jezusit

(Mt 12, 46‑50; Lk 8, 19‑21)

31 Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikë ta thërrasë. 32 E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

33 Ai u përgjigj:

“Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

34 Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin përreth tij, tha:

“Ja nëna ime e vëllezërit e mi! 35 Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!”

Marku: 4. Shëmbëlltyra e mbjellësit

4

1 Jezusi filloi prapë të mësojë në breg të detit. Turmë e madhe u mblodh rreth tij. Prandaj hyri në barkë në det dhe u ul, kurse populli qëndronte në breg të detit. 2 I mësonte shumë gjëra në shëmbëlltyra. Në mësimin e vet u thoshte:

3 “Dëgjoni! Doli mbjellësi për të mbjellë. 4 Ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë përbri udhës, erdhën zogjtë dhe i hëngrën. 5 Disa të tjera ranë në zallinë, ku nuk kishte mjaft dhe. Ato mbinë me të shpejtë, sepse toka nuk ishte e thellë. 6 Por, kur doli dielli, u dogjën, e, pse nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën, ua morën frymën e nuk dhanë fryt. 8 Disa të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë, u rritën e dhanë fryt: njëra tridhjetëfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra njëqindfish.”

9 Dhe shtoi:

“Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

Qëllimi i shëmbëlltyrave

(Mt 13, 10‑17; Lk 8, 9‑10)

10 Kur mbeti vetëm, ata që e përcillnin bashkë me të Dymbëdhjetët, e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrave. 11 Ai u tha:

“Ju e morët dhuratë misterin e Mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht në shëmbëlltyra, 12 që

‘edhe pse shikojnë me kujdes ‑ megjithatë

nuk shohin,

edhe pse dëgjojnë me kujdes ‑ megjithatë nuk

kuptojnë,

përndryshe do të ktheheshin

e do të gjenin falje.’“

Shtjellimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit

(Mt 13, 18‑23; Lk 8, 11‑15)

13 Dhe vazhdoi:

“Po a nuk e morët vesh këtë shëmbëlltyrë? Po, atëherë, si do t’i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

14 Mbjellësi mbjell Fjalën. 15 Ata ‘përbri udhës’, ku mbillet fjala, janë ata që, posa e dëgjojnë Fjalën, vjen aty për aty djalli dhe ua rrëmben Fjalën që mbillet në ta. 16 Po ashtu ata që e marrin farën në ‘zallinë’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë aty për aty me gëzim, 17 porse nuk kanë në vetvete rrënjë ‑ janë të luhatshëm. Por, po erdhi një e vështirë ose një salvim për shkak të Fjalës, e bjerrin besimin në Fjalën. 18 Të tjerët që e morën Fjalën në ‘ferra’, 19 janë ata që e dëgjuan Fjalën, por kujdeset e kësaj jete, lakmia e pasurisë dhe epshet ia zënë frymën Fjalës, dhe ajo mbetet pa fryt. 20 E ka nga ata që e marrin farën në ‘tokë të mirë’. Këta e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: njëri tridhjetëfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri njëqindfish.”

Shëmbëlltyra e dritëzës dhe e masës

(Lk 8, 16‑18)

21 Pastaj u tha:

“A thua bihet llamba për t’u vënë nën enë ose nën tryezë? E jo për ta vënë në dritëmbajtës? 22 Sepse asgjë s’është e fshehtë, veçse për t’u zbuluar, asgjë në fshehtësi, veçse për të dalë në dritë. 23 Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

24 Edhe u tha:

“Mbani mend çka dëgjoni! Me atë masë që të matni, me atë do t’ju matet! Madje edhe do t’ju shtohet! 25 Sepse, atij që ka, do t’i jepet më, e atij që s’ka, do t’i merret edhe çka ka.”

Shëmbëlltyra e farës që rritet vetvetiu

26 Dhe vazhdoi:

“Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

Shëmbëlltyra e farës së sinapit

(Mt 13, 31‑32; Lk 13, 18‑19)

30 Dhe thoshte:

“Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.”

Përdorimi i shëmbëlltyrave

(Mt 13, 34‑35)

33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Fashitja e detit

(Mt 8, 23‑27; Lk 8, 22‑25)

35 Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve:

“Të kalojmë matanë!”

36 Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra të tjera. 37 Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. 38 Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë:

“Mësues! A nuk shqetësohesh që po mbytemi?”

39 Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit:

“Qetësohu! Shuaj!”

Era pushoi e u bë fashë e madhe.

40 Atëherë u tha:

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”

41 Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Vallë, kush është ky të cilit po i nënshtrohen era dhe deti?”

Marku: 5. Shërimi i të djallosurit nga Geraza

5

1 Arritën matanë detit në krahinën e gerazenëve.

2 Posa Jezusi doli prej lundrës (menjëherë) nga varrezat i doli përpara një njeri që kishte djallin në trup. 3 Ky banonte në varreza. Askush nuk mundte më as ta lidhë në hekura. 4 Shpesh e kishin lidhur në pranga e zinxhirë, por ai i copëtonte prangat e i këpuste zinxhirët. Askush s’ishte më i zoti ta zotërojë. 5 Gjithë natën e ditën nëpër varre e nëpër male bërtiste e rrahte veten me gurë.

6 Kur prej së largu e pa Jezusin, u lëshua me vrap, ra para tij përmbys për dhe, 7 e atëherë, me sa zë pati, bërtiti:

“Çka do prej meje, Jezus, Biri i Hyjit tejet të Lartë? Po të përbej në Hyjin mos më mundo!”

8 Sepse Jezusi i kishte thënë: “Shpirti i ndytë, dil prej këtij njeriu!”

9 Atëherë Jezusi e pyeti:

“Si quhesh?”

“Quhem Legjion ‑ u përgjigj ai ‑ sepse jemi shumë.”

10 Ai i lutej shumë Jezusit që të mos i dëbonte prej asaj krahine.

11 Tashti, aty në rrëzë të malit po kulloste një tufë e madhe thish. 12 Shpirtrat e ndytë e përbenin:

“Na dërgo ndër thi të hyjmë në ta.”

13 Ai i lejoi. Shpirtrat e ndytë, pasi dolën, hynë në thi dhe tufa, afërsisht dy mijë copë ‑ u lëshuan me turr nga gremina, kërceu në det dhe u mbyt.

14 Barinjtë ndërkaq ikën dhe e përhapën lajmin nëpër qytet e fshatra. Njerëzit shkuan të shohin ç’kishte ndodhur.      15 Erdhën te Jezusi dhe, kur e panë të djallosurin, që kishte pasur në trup një legjion të tërë, ndenjur, të veshur dhe shëndosh në mend, i kapi frika. 16 Ata që kishin parë me sytë e vet u treguan si ndodhi puna me të djallosurin dhe me thitë. 17 Atëherë ata filluan t’i luten Jezusit të largohet prej krahinës së tyre.

18 Kur Jezusi hyri në barkë, ai që kishte qenë i djallosur zuri t’i lutej ta merrte me vete. 19 Jezusi nuk e lejoi, por i tha:

“Shko në shtëpinë tënde te familja jote e tregoju ç’nder të bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”

20 Ai shkoi dhe filloi të tregojë nëpër Dekapolis gjithçka Jezusi bëri për të. Gjithkush mrekullohej.

Vajza e Jairit dhe gruaja që i preku Jezusit petkun

(Mt 9, 18‑26; Lk 8, 40‑56)

21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të.

I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë.

25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.”       29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.

30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha:

“Kush m’i preku petkat?”

31 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“

32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.

33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!” 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.

40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.

Marku: 6. Jezusin e përbuzin në vendin e vet

6

1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit.

E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin:

“Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”

Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.

4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” 5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.

Dërgimi i të Dymbëdhjetëve

(Mt 10. 1. 5‑15; Lk 9, 1‑6)

Kështu doli e mësonte nëpër fshatra përreth.

7 Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10 Dhe u thoshte:

“Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

Vdekja e Gjon Pagëzuesit

(Mt 14, 1‑12; Lk 9, 7‑9)

14 Edhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: “Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullibërëse”. 15 Disa të tjerë thoshin: “Është Elia!” Prapë disa tjerë: “Është profet si çdo profet tjetër!” 16 Kur dëgjoi, Herodi tha: “U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata shkurtuar kokën!”

17 Dhe njëmend, vetë Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. 18 E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: “S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!”, 19 Herodiada e urrente dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 sepse Herodi e druante Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.

21 Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. 22 Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës.

“Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.”

23 Dhe iu përbetua (shumë):

“Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë sime!”

24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës:

“Çka të kërkoj?

“Kokën e Gjon Pagëzuesit!” ‑ i tha ajo.

25 Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha:

“Dua të ma japësh tani në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit.”

26 Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të ftuarve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën. 27 Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kokën e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kokën në burg, 28 e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës.

29 Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.

Jezusi ushqen pesë mijë vetë

(Mt 14, 13‑21; Lk 9, 10‑17; Gjn 6, 1‑14

30 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

35 Pasi kaloi shumë kohë e po bëhej vonë, iu afruan nxënësit e tij dhe i thanë:

“U bë vonë e ky vend është i shkretë, 36 thuaju të shkojnë në fshatra e katunde të rrethinës e të blejnë diçka për të ngrënë.”

37 “Jepuni ju të hanë” ‑ u përgjigj.

Ata i thanë:

“Të shkojmë e të blejmë dyqind denarë bukë e t’u japim të hanë?”

38 Ai vazhdoi:

“Sa bukë keni? Shkoni e shihni!”

Pasi shikuan, iu përgjigjën: “Pesë bukë e dy peshq”.

39 Atëherë u urdhëroi t’i ulin të gjithë në bar të njomë. 40 Të gjithë u ulën grupe‑grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë vetë.

41 Jezusi, si i mori pesë bukët e dy peshqit, i lartësoi sytë kah qielli, e bekoi Hyjin, i ndau bukët dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para njerëzve. Po ashtu edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42 Të gjithë hëngrën e u nginë.

43 Çuan dymbëdhjetë shporta plot me copa edhe sa teproi prej peshqve. 44 Ata që hëngrën ishin pesë mijë burra.

Jezusi ecën përmbi ujë

(Mt 14, 22‑33; Gjn 6, 15‑21)

45 Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin. 46 Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur.

47 Kur u bë natë, barka ishte në mes të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë. 48 Kur i pa se si hiqnin keq duke rremuar ‑ sepse era fryente nga ana e kundërt ‑ diku rreth rojës së katërt, Jezusi erdhi tek ata duke ecur përmbi det. Deshi t’i kalojë, 49 por ata, posa e panë duke ecur përmbi det, menduan se është fantazmë e bërtitën: 50 sepse e panë të gjithë e u trembën. Por Jezusi menjëherë filloi të flasë me ta e u tha:

“Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!”

51 Dhe hipi tek ata në barkë e era pushoi. E mbetën krejtësisht të habitur, 52 sepse ende nuk e kishin kuptuar vështrimin e mrekullisë së bukëve: mendja e tyre ishte e paaftë të kuptonte.

Shërime në rrethe të Gjenezaretit

(Mt 14, 34‑36)

53 Pasi lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën. 54 Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën 55 menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurët në vigje atje ku dëgjonin se ishte. 56 E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurët në sheshe dhe e lutnin t’ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

Marku: 7. Traditat e të parëve

7

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:

“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:

“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:

‘Ky popull më nderon me buzë,

kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,

kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit

‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

9 Dhe u tha:

“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 10 E pra, Moisiu tha:

‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’

dhe:

‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’

11 E ju përkundrazi thoni:

‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, 12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. 13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”

14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:

“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër. 16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

17 Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. 18 Ai u tha:

“Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun, 19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?”

Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.

20 Dhe vazhdoi:

“Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër, 21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”

Feja e gruas sirofenikase

(Mt, 15, 21‑28)

24 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur. 25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndytë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. 26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. 27 Ai i tha:

“Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.”

28 Ajo u përgjigj:

“Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!”

29 Ai iu përgjigj:

“Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!”

30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.

Shërimi i një shurdhamani belbacuk

31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:

“Gjithçka bëri mirë!”

“Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!”

Marku: 8. Jezusi ushqen mrekullisht katër mijë vetë

8

1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:

2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë. 3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”

4 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?”

5 Ai i pyeti:

“Sa bukë keni?”

“Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata.

6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit. 7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.

8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta. 9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë. 10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

Farisenjtë kërkojnë shenjë

(Mt 16, 1‑4)

11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit. 12 Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!”

13 Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër.

Tharmi i farisenjve dhe i Herodit

(Mt 16, 5‑12)

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” 16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:

“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,

me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’

Po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”

20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”

“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.

21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.

Shërimi i të verbërit prej Betsaidës

22 Dhe arritën në Betsaidë. Aty i sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte. 23 Ai e mori për dore të verbërin, e qiti jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha:

“A sheh gjë?”

24 Ai i hapi sytë dhe tha:

“Po shoh njerëz... më duken si drurë... ecin.”

25 Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka. 26 Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: “Mos hyr assesi në fshat!”

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin

(Mt 16, 13‑20; Lk 9, 18‑21)

27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:

“Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”

28 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”

29 Atëherë i pyeti ata:

“Po ju, kush thoni se jam?”

“Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

30 Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.

Jezusi paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet

(Mt 16, 21‑28; Lk 9, 22‑27)

31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

34 Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë. 36 E njëmend, çka i vlen njeriut të fitojë mbarë botën, nëse e humb jetën e vet. 37 Çka mund të japë njeriu si këmbim për jetën e vet? 38 Për të vërtetë, kujtdo t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të patenzonë e mëkatare, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të arrijë në lavdi të Atit të vet me engjëjt e shenjtë.”

Marku: 9. Shndërrimi i Jezusit

9

1 Dhe u thoshte:

“Për të vërtetë po ju them: ka këtu ndër ju nga ata që nuk do të vdesin para se të shohin se arriti me fuqi Mbretëria e Hyjit.”

Shndërrimi i Jezusit

(Mt 17, 1‑13; Lk 9, 28‑36)

2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.

5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:

“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.

9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?” 11 Dhe e pyetën:

“Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?”

12 “S’ka dyshim ‑ iu përgjigj ‑ më parë duhet të vijë Elia për të vënë përsëri çdo gjë në vendin e vet. Por, pse atëherë u shkrua për Birin e njeriut se i duhet të pësojë shumë e të përbuzet? 13 Veçse, unë po ju them: Elia erdhi e bënë me të si deshën, po ashtu siç shkruan për të në Shkrimin e shenjtë.”

Shërimi i djaloshit të djallosur

(Mt 17, 14‑20; Lk 9, 37‑43a)

14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta. 15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti:

“Mbi çka diskutoni me ta?”

17 Dikush prej morisë iu përgjigj:

“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”

19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”

20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.

21 Jezusi e pyeti babanë e tij:

“Tani sa kohë i ndodh kështu?”

22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”

23 “Nëse mund të bësh gjë... ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”

24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:

“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”

25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:

“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”

26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!” 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

29Ai iu përgjigj:

“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”

Jezusi përsëri paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet

(Mt 17, 22‑23; Lk 9, 43b‑45)

30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 31 sepse i mësonte nxënësit e vet.

U thoshte:

“Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”

32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesinin.

Kush është më i madhi

(Mt 18, 1‑5; Lk 9, 46‑48)

33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti:

“Mbi çka biseduat rrugës?”

34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha:

“Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e pëqafoi dhe u tha:

37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”

Kush nuk është kundër nesh, është me ne

(Lk 9, 49‑50)

38 Gjoni i tha:

“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”

39 Jezusi i tha:

“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua.  40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.

41 Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë sepse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet.”

Ngashënjimi në mëkat

(Mt 18, 6‑9; Lk 17, 1‑2)

42”Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë (në mua) të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det.

43Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr ‑ në zjarr që s’fiket kurrë. [44]45 E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. [46]47 Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr. 48 Ku ‘krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.’

49 Vërtet, gjithkush do të kripet me zjarr.

50 Kripa është gjë e mirë, porse, po qe se kripa e humb njelmësinë e vet, me çka do të kripet? Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe me njëri-tjetrin!”

Marku: 10. Martesa e pandashme

10

1 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Judesë (dhe) në anën përtej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon. 2 Atëherë (iu afruan farisenjtë) e, për ta sprovuar, e pyetën:

“A ka leje burri ta lëshojë gruan?”

3 Ai u përgjigj:

“Çka ju urdhëroi Moisiu?”

4 Ata i përgjigjën:

“Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e divorcit e të lëshohet. ’“

5 Jezusi u tha:

“Atë rregullore Moisiu e shkroi për ju për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Këndej pra, nuk janë më dy, ‑ por një trup i vetëm. 9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!”

10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha:

“Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”

Jezusi bekon fëmijët e vegjël

(Mt 19, 13‑15; Lk 18, 15‑17)

13Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 14 Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

Djaloshi pasanik

(Mt 19, 16‑30; Lk 18, 18‑30)

17 Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti:

“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?” 18 Jezusi iu përgjigj:

“Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm! 19 Urdhërimet i di: ‘Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babain tënd e nënën!’“

20 Ai iu përgjigj:

“Mësues, të gjtha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”

21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha:

“Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” 22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.

23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet:

“Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”

24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha:

“Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! 25Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër vrimë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!”

26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Atëherë kush do të mund të shëlbohet?”

27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha:

“Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.”

28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:

“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.”

Jezusi për të tretën herë e paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e vet

(Mt 20, 17‑19; Lk 18, 31‑34)

32 Ishin në udhëtim e po ngjiteshin në Jerusalem. Jezusi u printe. Nxënësit çuditeshin, por e ndiqnin edhe pse me frikë. Jezusi rishtas i mblodhi rreth vetes të Dymbëdhjetët e filloi t’u tregojë se çka do t’i ndodhë:

33 “Qe se po ngjitemi në Jerusalem e Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do ta lëshojnë në duar të paganëve. 34 Do ta vënë në lojë, do ta pështyjnë, do ta frushkullojnë e do ta vrasin. Por ai, pas tri ditësh, do të ngjallet.”

Kërkesa e Jakobit dhe e Gjonit

(Mt 20, 20‑28)

35 Atëherë Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë:

“Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.”

36 “Çka dëshironi ‑ u tha Jezusi ‑ të bëj për ju?”

37 Ata i thanë:

“Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

38 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”

39 “Jemi të zotët!” ‑ iu përgjigjën ata.

Jezusi vijoi:

“Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. 40 Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time ‑ kjo nuk është në pushtetin tim ta jap ‑ kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”

41 Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan me Jakobin e në Gjonin. 42 Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha:

“Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. 43 Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 44 dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, 45sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”

Shërimi i Bartimeut të verbër

(Mt 20, 29‑34; Lk 18, 35‑43)

46 E arritën në Jerihon. Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. 47 Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtiste:

“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

48 Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort:

“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

49 Jezusi zuri vend e tha:

“Thirreni!”

Ata i bënë zë të verbërit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” 50 I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. 51Jezusi e pyeti:

“Çka dëshiron të bëj për ty?”

“Rabbuni! Që të shoh!” ‑ u përgjigj i verbëri.

52 Jezusi i tha:

“Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!”

53 Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit.

Marku: 11. Hyrja kremtore në Jerusalem

11

1 Kur iu afruan Jerusalemit ‑ te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet 2 dhe u tha:

“Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do të gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i ka hipur në shpinë. Zgjidheni e ma bini. 3 Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.”

4 Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. 5 Disa që ndodhën aty i pyetën:

“Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?”

6 Nxënësit u përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan.

7 Ata ia çuan gomarin Jezusit, hodhën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hipi në të. 8 Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa të tjerë gemat që këputnin nëpër ara. 9Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin:

“Hosana!

Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!”

10 Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit!

Hosana në qiejt më të lartët!”

11 Jezusi hyri në Jerusalem, në Tempull, shikoi çdo gjë dhe, pasi dita ishte në të sosur, shkoi me të Dymbëdhjetët në Betani.

Jezusi e mallkon fikun e pafrytshëm

(Mt 21, 18‑19)

12 Të nesërmen, kur dolën prej Betanisë, Jezusi ishte uritur. 13 Prej së largu pa një fik me gjethe, shkoi për të gjetur ndonjë kokërr në të. Por, kur iu afrua, nuk gjeti në të asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha:

“Askush mos ngrëntë kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!” Nxënësit e tij i dëgjuan këto fjalë.

Jezusi i dëbon nga Tempulli shitësit

(Mt 21, 12‑17; Lk 19, 45‑48; Gjn 2, 13‑22)

15 Dhe arritën në Jerusalem. Kur hyri në Tempull, filloi t’i dëbojë ata që shitnin e blenin në Tempull. Ndërruesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave ua rrëzoi bankat. 16 Askënd s’la të mbartë ndonjë gjë nëpër Tempull. 17 I mësonte dhe u thoshte:

“Po, a nuk thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje për të gjithë popujt?’

e ju e bëtë shpellë cubash!

18 Kur dëgjuan kryepriftërinjtë e skribët, kërkonin mënyrën si ta vrisnin; por e druanin, sepse populli mbarë ishte i ngazëlluar me mësimin e tij.

19 Kur u bë natë, Jezusi e nxënësit po dilnin jashtë qytetit.

Mësimi i fikut të nëmur

(Mt 21, 20‑22)

20 Kur, në mëngjes, kaluan andej, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. 21 Atëherë Pjetrit i ra ndër mend e i tha:

“Rabbi, shiko! Qenka tharë fiku që ti nëme!”

22 Jezusi mori fjalën e u tha:

“Kini besim në Hyjin!

23 Përnjëmend po ju them: nëse ndokush i thotë këtij mali: ‘Çohu dhe hidhu në det!’ ‑ e nuk dyshon në zemrën e vet, por beson se do të ndodhë siç thotë, ashtu do t’i ndodhë!

24 Prandaj po ju them:

çkado që të kërkoni me lutje, besoni se e morët, e do ta fitoni me siguri. 25E, kurdo të ngriteni për t’u lutur, falni nëse keni ndonjë gjë kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t’jua falë edhe juve fajet.” [26]

Çështja e pushtetit të Krishtit

(Mt 21, 23‑27; Lk 20, 1‑8)

27 Prapë erdhën në Jerusalem. Ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, iu afruan kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë 28 e i thanë:

“Me ç’pushtet i bën ti këto? Ose kush ta dha ty pushtetin të veprosh kështu?”

29 Jezusi u përgjigj:

“Edhe unë po ju bëj një pyetje të vetme. Më pëgjigjni ju e atëherë do t’ju përgjigjem me ç’pushtet i bëj këto. 30 M’u përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit a ishte prej ‘Qiellit’ apo prej ‘njerëzve’?”

31 Ata filluan të pleqërojnë në vetvete:

‘Po thamë ‘Prej Qiellit’, ai do të na thotë: ‘Pse atëherë nuk i besuat?’ 32 E po u përgjigjëm: ‘Prej njerëzve...’ Druanin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë. 33 Këndej iu përgjigjën Jezusit:

“Nuk dimë.”

Edhe Jezusi iu përgjigj:

“As unë, pra, s’po ju tregoj se me ç’pushtet i bëj këto!”

Marku: 12. Shëmbëlltyra e vreshtarëve vrastarë

12

1 Atëherë Jezusi filloi t’u flasë në shëmbëlltyra:

Një njeri mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, punoi shtrydhësin, ndërtoi kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve dhe shkoi në dhe të huaj. 2 Në kohën e duhur dërgoi shërbëtorin e vet te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit. 3 Ata e kapën, e rrahën dhe e nisën duarthatë. 4 Ai prapë dërgoi tek ata një tjetër shërbëtor, por edhe këtij t’i hoqën dru kresë dhe e poshtëruan. 5 Pastaj dërgoi edhe të tretin: këtë e vranë. Çoi edhe shumë të tjerë. Edhe këta disa i rrahën e disa i vranë.

6 Kishte vetëm edhe një: djalin e vet të dishirit. Të fundit ua dërgoi atë. Mendonte. ‘Do të ma nderojnë djalin.’ 7 Por ata, vreshtarët, i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!’ 8 E kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

9 Ç’do t’u bëjë (tani) zotëria i vreshtit? Do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë e vreshtin do t’ua japë të tjerëve.

10 Po a nuk i keni lexuar këto fjalë në Shkrimin e shenjtë:

‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit;

11 kjo është vepër e Zotit,

sa mrekulli në sytë tanë!’“

12 Mendonin ta kapnin, por druanin popullin. E morën vesh mirë se Jezusi e kishte drejtuar këtë shëmbëlltyrë kundër tyre. E lanë e shkuan.

Pagimi i tatimit Cezarit

(Mt 22, 15‑22; Lk 20, 20‑26)

13 Pastaj i dërguan disa prej farizenjve e herodianëve me qëllim që ta zënë në fjalë. 14Këta erdhën e i thanë:

“Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk shqetësohesh për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t’ia japim apo të mos ia japim.”

15 Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha:

“Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!”

16 Ata ia sollën. Ai i pyeti:

“ E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?”

“ Të Cezarit.” ‑ iu përgjigjën ata.

17 Jezusi u përgjigj:

“Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!”

I la me gojë hapur.

Ringjallja e të vdekurve

(Mt 22, 23‑33; Lk 20, 27‑40)

18 Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën:

19 “Mësues, Moisiu shkroi për ne: ‘Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t’i lindë fëmijë vëllait të vet’.

20 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës. 21 I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti. 22 Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 23 Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.”

24 Jezusi u përgjigj:

“Po a nuk jeni në gabim pikërisht pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit? 25 Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s’do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell. 26Për sa pastaj i përket çështjes së ringjalljes të të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e ‘Kaçubës’, se si i tha Hyji: ‘Unë jam Hyji i Abrahimit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?’ 27 Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.

Jeni shumë gabim!”

Më i madhi urdhërim

(Mt 22, 34‑40; Lk 10, 25‑28)

28 Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti:

“Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”

32 Skribi u përgjigj:

“Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.”

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha:

“Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.”

Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

Çështja e Birit të Davidit

(Mt 22, 41‑46; Lk 20 41‑44)

35 Kurse Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje:

“Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit, 36 kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha:

‘I tha Zoti Zotit tim:

rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë të këmbëve të tua?’

37 Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri?” Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

Mendimi i Jezusit mbi skribët

(Mt 23, 1‑36; Lk 20, 45‑47)

38 Pastaj në mësimin e vet u thoshte:

“Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e bëjnë gjasme thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”

Dhurata e vejushës skamnore

(Lk 21, 1‑4)

41 Pastaj u ul përballë arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d. m. th. një të katërtën e asit. 43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha:

“Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që hodhën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”

Marku: 13. Paralajmërimi i rrënimit të Tempullit

13

1 Ndërsa po dilte nga Tempulli, i tha njëri prej nxënësve të tij:

“Mësues! Shih çfarë gurësh e ç’ndërtesa!”

2 Kurse Jezusi i tha:

“A po i sheh këto godina madhështore? Nuk do të mbesë as gur mbi gur pa u rrëzuar!”

Fillimi i vështirësive

(Mt 24, 3‑14; Lk 21, 7‑19)

3 Kur pastaj u ul të rrijë në Malin e Ullinjve përballë Tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andreu e pyetën veçmas:

4 “Na trego kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se të gjitha këto do të vërtetohen?”

5 Atëherë Jezusi nisi t’u flasë:

“Vëriani mendjen të mos ju gënjejë kush! 6 Sepse do të vijnë shumë njerëz në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe do të gënjejnë shumëkënd. 7 Por edhe kur të dëgjoni për luftëra e për lajme luftërash, mos u shqetësoni! Këto duhet të ndodhin, por as atëherë ende nuk është mbarimi.

8 Sepse, do të ngrihet popull kundër popullit mbretëri kundër mbretërisë, do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme e do të ketë uri. Ky është fillimi i vështirësive të tmerrshme.

9 Por ju kujdesuni për veten: do t’ju dorëzojnë gjyqeve, do t’ju frushkullojnë ndër sinagoga, do t’ju qesin para qeveritarëve e para mbretërve për shkak timin, që të dëshmoni para tyre. 10 Por më parë duhet t’u shpallet Ungjilli të gjithë popujve.

11 Dhe kur t’ju çojnë për t’ju gjykuar, mos u shqetësoni që më parë se çka do të përgjigjeni; por flisni ç’t’ju jepet në atë çast, sepse nuk do të flisni ju, por Shpirti Shenjt. 12 Vëllai do të dorëzojë vëllanë e vet në vdekje e babai fëmijën e vet. Fëmijët do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin. 13 Dhe do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të emrit tim. Ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shëlbohet.”

Vështirësia e madhe

(Mt 24, 15‑28; Lk 21, 20‑24)

14 “Kur të shihni ‘Tmerrimin e shkatërrimit’, se qëndron atje ku s’guxon të jetë ‑ kush lexon le ta marrë vesh ‑ atëherë ata që gjenden në Jude, le të ikin në male; 15 ai që ndodhet në pullaz, të mos zbresë e të mos hyjë në shtëpi të vet për të marrë ndonjë gjë; 16 po edhe ai që të ndodhet në arë, të mos kthehet mbrapa për të marrë mantelin e vet!

17 Mjerë gratë shtatzëna e ato me fëmijë në gji në ato ditë! 18 Lutuni që të mos bjerë në dimër, 19sepse në ato ditë do të jetë ‘mjerim aq i madh sa që nuk u pa kurrë një i tillë që nga zanafilla e krijesave që i krijoi Hyji ‘deri tani’ dhe nuk do të jetë më kurrë. 20 Dhe, po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte njeri i gjallë. Por, për shkak të të zgjedhurve, ‑ që ai i zgjodhi për vete, ‑ i shkurtoi ato ditë.

21 Nëse atëherë do t’ju thotë ndokush: ‘Qe, Mesia është këtu!’, ose ‘Është atje!’ ‑ mos besoni! 22 Sepse do të ngrihen mesi të rrejshëm e profetë të rrejshëm, do të bëjnë shenja të çuditshme për të ngashënjyer në gabim, nëse është e mundur, të zgjedhurit. 23 Ju vëriani mendjen vetes: ja, jua paralajmërova të gjitha!”

Ardhja e Birit të njeriut

(Mt 24, 29‑31; Lk 21, 25‑28)

24 “Porse, në ato ditë, pas asaj vështirësie,

‘dielli do të terratiset,

hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet,

25 yjet do të bien prej qiellit

e trupat qiellorë do të lëkunden.’

26 Atëherë do ta shohin ‘Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me lavdi. 27 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit (e vet) nga katër anët e botës ‑ prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.”

Mësimi i shëmbëlltyrës së fikut

(Mt 24, 32‑35; Lk 21, 29‑33)

28 “Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut:

Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. 29 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, ta dini se është afër ‑ te dera! 30 Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. 31 Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

Dita dhe ora e panjohur

(Mt 24, 36‑44)

32 “Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.

33 Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. 34 Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la nën kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrinte zgjuar. 35 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes ‑ 36 që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.

37 Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!”

Marku: 14. Komploti kundër Jezusit

14

1 Pas dy ditësh do të ishin Pashkët dhe Pabrumet. Krypriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta zënë me dredhi Jezusin e ta vrasin. 2 Sepse thoshin: “Jo në Festë, assesi, që të mos bëhet kryengritje në popull.”

Lyerja në Betani

(Mt 26, 6‑13; Gjn 12, 1‑8)

3 Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur. Ndërsa ishte ulur të hajë bukë, hyri një grua me enë alabastri me erëra të mira nardi të pastër e të shtrenjtë. E theu enën prej alabastri dhe ia zbrazi Jezusit mbi kokë. 4 Për këtë punë disa u hidhëruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Pse të derdhet ky parfum? 5 Parfumi mundi të shitej më shumë se treqind denarë e t’u jepeshin skamnorëve.” Dhe e prozhmonin atë grua.

6 “Lëreni! Pse po e trazoni ‑ u tha Jezusi. ‑ Ajo kreu një vepër të mirë kundrejt meje. 7 Sepse, skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete dhe do të mund t’u bëni mirë kur të doni, përkundrazi mua nuk do të më keni gjithherë. 8 Ajo bëri çka mundi: që më parë ma leu trupin tim për varrim. 9 Përnjëmend po ju them: kudo që ‑ në botën mbarë ‑ do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo ‑ në përkujtimin e saj.”

Juda bën ujdi ta tradhtojë Jezusin

(Mt 26, 14‑16; Lk 22, 3‑6)

10 Judë Iskarioti, njëri prej të Dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë Jezusin.

11 Kur ata dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i japin të holla. Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Darka e Pashkëve me nxënësit

(Mt 26, 17‑25; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

12 Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë:

“Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?”

13 Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha:

“Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. 14 Ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ 15 Ai do t’ju tregojë në katin e sipërm një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.”

16 Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

17 Kur u bë natë, Jezusi erdhi me të Dymbëdhjetët.

18 Ndërsa ishin në tryezë dhe po hanin, Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: ‘njëri që po ha me mua. ’

19 Nxënësit u trishtuan e filluan ta pyesin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë?”

20 Jezusi iu përgjigj:

“Njëri prej të Dymbëdhjetëve! Një që po ngjyen me mua në pjatë. 21 Njëmend, Biri i njeriut po shkon, siç u shkrua për të, por i mjeri ai që po e tradhton Birin e Njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të që as të mos kishte lindur fare!”

Themelimi i Eukaristisë

(Mt 26, 26‑30; Lk 22, 15‑20; 1 Kor 11, 23‑25)

22 Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha:

“Merrni, ky është trupi im!”

23 Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. 24 U tha:

“Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. 25 Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.”

26 Pasi kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.

Parakallëzimi i mohimit të Pjetrit

(Mt 26, 31‑35; Lk 22, 31‑34; Gjn 13, 36‑38)

27 Jezusi u tha:

“Të gjithë ju do të shkandulloheni në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Do t’i bie bariut

e delet do të shpërndahen.’

28 Por, pasi të ngjallem do t’ju dal para në Galile.”

29 Atëherë Pjetri i tha:

“Në qoftë se të gjithë do të shkandullohen, unë jo, assesi!”

30 Jezusi iu përgjigj Pjetrit:

“Për të vërtetë, po të them: sot, pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më bish mohit.”

31 Pjetri ngulte këmbë edhe më tepër në fjalën e vet:

“Edhe nëse do të më duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj!”

Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.

Lutja në Gjetseman

(Mt 26, 36‑46; Lk 22, 39‑46)

32 Dhe arritën në vendin që quhej Gjetseman. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Rrini këtu derisa të lutem.”

33 Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë, 34 e u tha:

“Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!”

35 U largua pak, ra përmbys për dhe e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast.

36 E thoshte:

“Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!”

37 U kthye, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, a po fle? Po a nuk qe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme? 38 Rrini zgjuar dhe lutuni të mos bini në tundim. Shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

39 Përsëri u largua dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. 40 Kur u kthye prapë i gjeti fjetur, sepse sytë u ishin rënduar. Nuk dinin as ç’t’i përgjigjeshin. 41 Erdhi të tretën herë dhe u tha:

“Ende po flini e po pushoni? Mjaft më! Erdhi ora! Ja, Biri i njeriut po lëshohet në duar të mëkatarëve. 42 Çohuni të shkojmë! Ja, po afrohet ai që po më tradhton!”

Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit

(Mt 26, 47‑56; Lk 22, 47‑53; Gjn 18, 3‑12)

43 Ndërkohë që ai ende po fliste, ia behu Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve e bashkë me të një shumicë e madhe njerëzish me shpata e me shkopinj, të dërguar prej kryepriftërinjve, prej skribëve e prej pleqve. 44 Tradhtari i tij u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth unë, ai është. Atë kapni e merreni me vete me kujdes të madh!” 45 Si arriti, menjëherë iu afrua Jezusit, i tha: “Rabbi!” dhe e puthi. 46 Ata vunë dorë në të dhe e kapën. 47 Njëri prej të pranishmëve nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia shkurtoi veshin.

48 Jezusi mori fjalën dhe u tha:

“Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj të më kapni sikurse unë të isha cub! 49 E, pra, përditë isha me ju në Tempull duke mësuar e nuk më kapët... Ani, le të shkojë në vend Shkrimi i shenjtë!”

50 Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.

Djaloshi i ri që ikën

51 E një djalosh, i mbështjellë trupit vetëm me çarçaf, po shkonte pas Jezusit. Ata e kapën. 52 Ky lëshoi çarçafin e iku lakuriq.

Jezusi para këshillit të lartë ‑ Sinedrit

(Mt 26, 57‑68; Lk 22, 54‑55; 63‑71; Gjn 18, 13‑14, 19‑24)

53 Ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.

54 Pjetri e përcjell prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Po rrinte aty bashkë me shërbëtorë dhe po nxehej pranë zjarrit.

55 Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, po nuk e gjenin. 56 Njëmend shumë vetë dëshmuan rrejshëm kundër tij, porse dëshmitë nuk ishin në përkim. 57 Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër tij e thanë:

58 “Ne e kemi dëgjuar duke thënë: ‘Unë do ta rrënoj këtë Tempull të punuar me dorë njeriu dhe për tri ditë do ta ndërtoj një tjetër që s’do të jetë i punuar me dorë. ’“

59 Por dëshmia e tyre as në këtë pikë nuk ishte në përkim.

60 Atëherë u ngrit kryeprifti në mes të Këshillit dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë:

“Pse nuk po përgjigjesh asgjë? Çka po dëshmojnë këta njerëz kundër teje?”

61 Jezusi heshte. Nuk u përgjigj asgjë. Kryeprifti prapë e pyeti e i tha:

“A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar?”

62 Jezusi iu përgjigj:

“Unë jam! Po edhe ju ‘do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anën e djathtë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, dhe duke ardhur me re të qiellit. ’“

63 Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta dhe tha:

“Ç’na duhen më dëshmitarët? 64 Ju vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”

Të gjithë gjykuan se meritonte të vritej.

65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia mbulojnë fytyrën e ta rrahin me grushta e t’i thonë: “Profetizo!” E shërbëtorët i binin shuplaka.

Pjetri i bie mohit Jezusit

(Mt 26, 69‑75; Lk 22, 56‑62; Gjn 18, 15‑18, 25‑27)

66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit 67, dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha:

“Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.”

68 Ai e mohoi me këto fjalë:

“As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.”

Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi. ) 69 Shërbëtorja, kur pa filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një prej tyre!” 70 Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit:

“Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!”

71 Atëherë ai ia filloi të lëshojë be e rrufe:

“Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”

72 Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: “Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.” Dhe shpërtheu në vaj.

Marku: 15. Jezusi para Pilatit

15

1 Menjëherë në mëngjes krerët e priftërinjëve mbajtën kuvend bashkë me pleq e me skribë ‑ mbarë Këshilli i lartë e, pasi Jezusin e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit. 2Pilati e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

“Ti thua!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

3 Kryepriftërinjtë e paditnin rëndë. 4 Pilati e pyeti përsëri:

“Pse s’po përgjigjesh asgjë? Shih se sa po të padisin!”

5 Jezusi s’u përgjigj më asgjë aq sa Pilati mbeti i habitur.

Jezusin e dënojnë me vdekje

(Mt 27, 15‑26; Lk 23, 13‑25; Gjn 18, 39‑19, 16)

6Pilati për çdo të kremte të Pashkëve u lëshonte atë të burgosur që ata kërkonin. 7 Në atë kohë ishte në burg një njeri që quhej Barabë, i burgosur bashkë me kryengritës të tjerë, të cilët në një kryengritje kishin bërë vrasje. 8 Njerëzit u ngjitën lart e filluan të kërkojnë prej Pilatit të bëjë atë që kishte zakon të bëjë për ta. 9 Pilati iu përgjigj:

“A doni t’jua lëshoj mbretin e hebrenjve?”

10 Sepse e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire. 11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën t’ua lëshojë më mirë Barabën. 12 Pilati foli përsëri dhe u tha:

“Çka (doni) të bëj me atë që (ju thoni se) është mbreti i judenjve?”

13 “Kryqëzoje!” ‑ bërtitën ata përsëri.

14 “Po ç’të keqe ka bërë?” ‑ u tha Pilati.

Por ata bërtitën edhe më të madhe: “Kryqëzoje!”

15 Pilati, duke dashur të kënaqë turmën ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë.

Ushtarët përqeshin Jezusin

(Mt 27, 27‑3l; Gjn 19, 2‑3)

16 Ushtarët e shtinë Jezusin brenda pallatit ‑ d. m. th. në pretorium, dhe e bashkuan mbarë kohortën.

17 E veshën me mantel të kuq dhe në kokë i vunë një kurorë të gërshetuar me ferra. 18 Atëherë filluan ta përshëndesin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” 19 Dhe i binin kresë me kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar para tij, gjasme e nderonin. 20 Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, ia veshën petkat e tij dhe e hodhën përjashta për ta kryqëzuar.

Jezusin e kryqëzojnë

(Mt 27, 32‑44; Lk 23, 26‑43; Gjn 19, 17‑27)

21 Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.

22 Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’. 23 I dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

24 Atëherë e kryqëzuan dhe:

‘i ndanë petkat e tij,

duke hedhur short’ ‑ çka t’i bjerë secilit.

25 Ishte ora tre kur e kryqëzuan.

26 Ishte i shkruar mbishkrimi i fajit të tij: “Mbreti i judenjve.” 27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në anën e tij të djathtë, kurse tjetrin në të majtën e tij. [28].

29 Kalimtarët e shanin ‘duke tundur kokën’ e thoshin: “Hej, ti që e rrënon Tempullin dhe e rindërton për tri ditë, 30 shpëtoje, deh, veten, zbrit prej kryqit!” 31 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë e skribët e vinin në lojë me njëri-tjetrin dhe thoshin: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë! 32 Mesia! Mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim e të besojmë!” E fyenin edhe ata që ishin të kryqëzuar me të.

Vdekja e Jezusit

(Mt 27, 45‑56; Lk 23, 44‑49; Gjn 19, 28‑30)

33 Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. 34 Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?” 35 Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!”

36 Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!”

37 Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt.

38 Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. 39 Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha:

“Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”

40 Prej së largu vërenin edhe disa gra. Ndër to ishte: Maria Magdalenë, Maria, nëna e Jakobit të Ri dhe e Jozefit, edhe Saloma, 41 të cilat e kishin përcjellë dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile, edhe shumë të tjera që me të u ngjitën në Jerusalem.

Varrimi i Jezusit

(Mt 27, 57‑61; Lk 23, 50‑56; Gjn 19, 38‑42)

42 Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ 43 erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. 44 Pilati, i habitur se kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur tashmë. 45 Si mori vesh prej centurionit, ia dhuroi trupin Jozefit. 46 Ky bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin, e mbështolli në pëlhurë dhe e futi në varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në grykë të varrit.

47 Maria Magdalenë e Maria e Jozefit shikuan ku e vunë.

Marku: 16. Ngjallja e Jezusit

16

1 Kur kaloi e shtuna, Maria Magdalenë dhe Maria e Jakobit e Saloma blenë erëra të mira për të shkuar ta përerojnë Jezusin. 2 Të parën ditë pas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, erdhën te varri.

3 I thoshin shoqja ‑ shoqes: “Kush do të na e rrokullisë gurin prej grykës së varrit?” 4 Shikuan, dhe ja, guri ishte i rrokullisur. Ishte, vërtet i madh fort! 5 Ato hynë në varr e panë një djalosh ndenjur në anë të djathtë, të veshur me petk të bardhë, e u trembën. 6 Por ai u tha:

“Ju mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e patën vënë. 7 Shkoni dhe thuajuni nxënësve të tij ‑ veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile, atje do ta shihni, siç ju pati thënë:”

8 Ato dolën dhe ikën nga varri, sepse i kapi frikë e madhe dhe tmerr. S’i treguan askujt asgjë, sepse kishin frikë...

Përfundimi i gjatë i Markut Shfaqja e Jezusit Marisë Magdalenë

(Mt 28, 9‑10; Gjn 20, 11‑18)

9 Si u ngjall, pra, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë. 10 Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin. 11 Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan.

Jezusi u dëftohet dy nxënësve

(Lk 24, 13‑35)

12 Pastaj Jezusi iu dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dy prej nxënësve që po shkonin në fshat. 13 Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan.

Dërgimi i nxënësve

(Mt 28, 16‑20; Lk 24, 36‑49; Gjn 20, 19‑23; Vap 1, 6‑8)

14 Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri. 15 Dhe u tha:

“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

Jezusi ngjitet në qiell

(Lk 24, 50‑53; Vap 1, 9‑11)

19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

Përfundimi i shkurtër i Markut

Ato e lajmëruan Pjetrin dhe shokët e tij menjëherë për gjithçka kishin qenë porositur. Pastaj edhe vetë Jezusi bëri që me anë të tyre të çohet predikimi i shenjtë dhe i paprishur i shëlbimit të amshuar prej Lindjes e deri në Perëndim.