Luka: 1. Kushtimi Teofilit

1

1 Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë ‑ 2 ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës ‑ 3 e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, 4 që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.

Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit

5 Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë. 6 Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit. 7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8 Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit 9 sipas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin. 10 Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej. 11 Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. 12 Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. 13 Por engjëlli i tha:

“Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt që në kraharorin e s’ëmës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre. 17 Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.”

18 Atëherë Zakaria i tha engjëllit:

“Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.”

19 Engjëlli iu përgjigj:

“Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm. 20 Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.”

21 Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore. 22 Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.

23 Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet. 24 Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:

25 “Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!”

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

Maria i shkon në pasi Elizabetës

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

Himni i Marisë

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

Lindja e Gjon Pagëzuesit

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha:

“Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën:

“Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”

62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjellua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

Himni i Zakarisë

67 Atëherë Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe profetizoi:

68Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit,

që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë

në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

73 e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme 74 t’i shërbejmë pa frikë,

të çliruar nga duart e armikut 75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.

76 E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët,

77 për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta

shëlbojë duke ia falur mëkatet e tij,

78 në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë

që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

79 për të shndëritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes,

për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.”

80 Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht.

Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.

Luka: 2. Lindja e Jezusit

2

1 Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. 2 Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. 3 Të gjithë shkonin të regjishtroheshin, secili në qytetin e vet. 4 Kështu edhe Jozefi, pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, 5 për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.

6 Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. 7 Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.

Barinjtë dhe engjëjt

8 Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. 9 Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi. 10 Engjëlli u tha:

“Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! 11 Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot! 12 Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.”

13 Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste:

14 Lavdi Hyjit në më të lartin qiell

e paqe mbi tokë njerëzve,

që i ka për zemër!”

15 Posa engjëjt u larguan prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri‑tjetrit:

“Ejani të shkojmë, pra, deri në Betlehem e të shohim çka ndodhi ‑ngjarjen që na e kumtoi Zoti.”

16 Shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd. 17 Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për Foshnjën. 18 Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. 19 Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.

20 Barinjtë pastaj u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli.

21 Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë Foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, siç e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor.

Kushtimi i Jezusit në Tempull

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

Kthimi në Nazaret

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

Jezusi fëmijë në Tempull

41 Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. 42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës. 43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. 44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. 45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjegjet e tij. 48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha:

“Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”

49 Ai iu përgjigj:

“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”

50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.

51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.

52 Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve.

Luka: 3. Predikimi i Gjon Pagëzuesit

3

1 Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës; 2 kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkretëtirë. 3 Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve 4 në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Isaisë profet:

“Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

përgatitni udhën e Zotit;

rrafshoni shtigjet e tij!

5 Çdo luginë le të mbushet,

çdo mal e kodër le të ulet;

udhët e shtrembëra le të bëhen të drejta

e ato gropa‑gropa le të bëhen të rrafshta.

6 E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.”

7 Tashti, Gjoni u thoshte turmave që vinin të pagëzoheshin prej tij:

“Gjarpërinj gjarpërinjsh! Kush ju përkujtoi të ikni prej zemërimit që po vjen? 8 Bëni, pra, fryte të denja kthimi dhe mos t’ju shkojë ndër mend të thoni me vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’, sepse, unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë prej këtyre gurëve fëmijë Abrahamit! 9 Tashmë sëpata u vu mbi rrënjë të pemëve: çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.”

10 Atëherë e pyetnin turmat:

“Neve, pra, ç’na duhet të bëjmë?”

11 “Kush ka dy palë petka ‑ u përgjigjej ‑ le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!”

12 Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë:

“Mësues, po ne çka duhet të bëjmë?”

13 Ai u përgjigj:

“Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.”

14 E pyetën edhe disa ushtarë:

“Po ne, çka duhet të bëjmë?”

Edhe atyre iu përgjigj:

“Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”

15 E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është pikërisht ky Mesia, 16 këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve:

“Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. 17 Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”

18 E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin.

19 Ndërkaq Herodi tetrark, të cilin e qortoi Gjoni për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij dhe për arsye të të gjitha veprave të tjera të këqija, 20 të gjitha këtyre ua shtoi edhe një: e futi Gjonin në burg.

Pagëzimi i Jezusit

(Mt 3, 13‑17; Mk 1, 9‑11)

21 Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli 22 dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im ‑ Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”

Breznia ligjore e Jezusit

(Mt 1, 1‑17)

23 Jezusi, kur filloi veprimtarinë botore, ishte rreth tridhjetë vjeç. Ishte ‑ si kujtonin njerëzit ‑ biri i Jozefit, i Helit, 24 i Matatit, i Levit, i Melkit, i Janait, i Jozefit, 25 i Matatisë, i Amosit, i Naumit, i Heslit, i Nagait, 26 i Mahatit, i Matatisë, i Semeit, i Josehit, i Jodës, 27 i Joananit, i Resait, i Zorobabelit, i Salatielit,

i Nerit, 28 i Melkit, i Adit, i Kozamit, i Elmadamit, i Erit, 29 i Jezusit, i Elizerit, i Jorimit, i Matatit, i Levit, 30 i Simonit, i Judës, i Jozefit, i Jonamit, i Eliakimit, 31 i Meleait, i Menait, i Matatait, i Natamit, i Davidit,

32 i Jeseut, i Obedit, i Boozit, i Salait, i Naasonit, 33 i Aminadabit, i Adminit, i Arnit, i Esromit, i Faresit, i Judës, 34 i Jakobit, i Izakut, i Abrahamit, i Tares, i Nahorit, 35 i Seruhut, i Ragaut, i Falekut, i Eberit, i Salait, 36 i Kainamit, i Arfaksadit, i Semit, i Noehit, i Lamehit, 37 i Matuzalës, i Enokut, i Jaredit, i Maleleelit, i Kainamit, 38 i Enosit, i Setit, i Adamit, i Hyjit.

Luka: 4. Jezusin e tundon djalli

4

1 Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë, 2 ku, për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, u urit.

3 Atëherë djalli i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë.’”

5 Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, 6 e i tha:

“Ty do të ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua dhe unë ia jap kujt të dua. 7 Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.”

8 Jezusi iu përgjigj:

“Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd,

dhe vetëm atij shërbeji!’“

9 Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, 10 sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, 11 dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur.’”

12 Jezusi iu përgjigj:

“Por u tha edhe:

‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!’”

13 Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.

Fillimi i veprimtarisë në Galile

(Mt 4, 12‑17; Mk 1, 14‑15)

14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirit Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve.

Jezusin e përbuzin në Nazaret

(Mt 13, 53‑58; Mk 6, 1‑6)

16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua

sepse Ai më shuguroi!

Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin,

të verbërve dritën e syve;

t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,

19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha:

“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”

22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin:

“Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”

23 Atëherë u tha:

“Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’

24 Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”

28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

Njeriu i djallosur

(Mk 1, 21‑28)

31 Atëherë zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë dhe mësonte ditën e shtunë. 32 Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet.

33 Në sinagogë ndodhej një njeri që në trup kishte shpirtin e djallit të ndytë. Ai bërtiti me zë të lartë:

34 “Hej, ç’ke me ne, Jezus Nazareni? A erdhe të na farosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

35 “Praj dhe dil prej tij! ‑ i urdhëroi Jezusi.

Djalli e rrëzoi para tyre e doli prej tij pa e lënduar fare. 36 Të gjithë i kapi frika dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Çfarë fjale! Ky po u urdhëron me pushtet e fuqi shpirtrave të ndytë e ata po dalin!”

37 Dhe u përhap zëri për të nëpër të gjitha vendet e krahinës.

Shërimi i shumë njerëzve në popull

(Mt 8, 14‑17; Mk 1, 29‑34)

38 Si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve ‑ e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

Predikimi nëpër vende të ndryshme

(Mk 1, 35‑39)

42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43 Ai u tha:

“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”

44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.

Luka: 5. Thirrja e nxënësve të parë

5

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:

“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

5 Simoni i tha:

“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”

6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:

“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”

9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:

“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

Shërimi i të gërbulurit

(Mt 8, 1‑4; Mk 1, 40‑45)

12 Ndërsa Jezusi po gjendej në një qytet, dhe ja, ia behu një njeri plot gërbulë! Kur e pa Jezusin, ra me fytyrë përdhe e iu lut:

“Zotëri, nëse do, ti mund të më pastrosh!”

13 Jezusi shtriu dorën, e preku dhe tha:

“Dua, pastrohu!”

Dhe gërbula iu zhduk aty për aty. 14 Jezusi e porositi të mos i tregojë askujt, por:

“Shko ‑ i tha ‑ paraqitju priftit, ço flinë për shërimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu, që ta kenë për dëshmi.”

15 Ndërkaq përhapej për të zëri përherë e më tepër e populli lëshohej me shumicë për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e veta. 16 E Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara e lutej.

Shërimi i të paralizuarit

(Mt 9, 1‑8; Mk 2, 1‑12)

17 Një ditë Jezusi ishte duke mësuar. Ndër dëgjues kishte edhe farisenj e mësues të Ligjit, që kishin ardhur prej të gjitha fshatrave të Galilesë, të Judesë dhe prej Jerusalemit. Atë fuqia e Zotit e shtynte të shërojë.

18 Kur, ja disa njerëz po mbartnin në vig një njeri që ishte i paralizuar. Ata kërkonin ta shtienin brenda për ta vënë para tij. 19 Por nuk gjetën kah ta shtienin brenda prej turmës së popullit. Atëherë u ngjitën në pullaz, hoqën tjegullat dhe e lëshuan me gjithë vig mes njerëzve ‑ para Jezusit. 20 Jezusi, duke parë fenë e tyre, tha:

“O njeri, të janë falur mëkatet!”

21 Mësuesit e Ligjit e farisenjtë filluan të mendojnë:

“Kush është ky që po flet blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç një Hyji të vetëm?”

22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çka po mendoni në zemrat tuaja? 23 Çka është më lehtë, të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’, apo të thuhet:’Çohu e ec?’ 24

Mirë, pra, unë dua t’jua vërtetoj se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ atëherë i tha të paralizuarit ‑ Po të urdhëroj: çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”

25 I paralizuari, aty për aty, para syve të tyre, u ngrit në këmbë, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke e lavdëruar Hyjin.

26 Të gjithë i rrëmbeu habi e madhe, lëvdonin Hyjin dhe, plot frikë, thoshin:

“Sot pamë mrekulli të mëdha!”

Thirrja e Levit

(Mt 9, 9‑13; Mk 2, 13‑17)

27 Pastaj Jezusi doli dhe në vendin e tatimit pa duke ndenjur një tagrambledhës, që quhej Levi. I tha: “Eja pas meje!” 28 Ai la gjithçka, u ngrit e shkoi pas tij.

29 Pastaj Levi i bëri gati në shtëpinë e vet një gosti të madhe. Bashkë me Jezusin rrinin në tryezë shumë tagrambledhës e njerëz të tjerë. 30 Farisenjtë dhe skribët e sektit të tyre, murmurisnin dhe u thanë nxënësve të tij:

“Pse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?”

31 Jezusi u përgjigj:

“Të shëndoshët nuk kanë nevojë për mjek, por të sëmurit. 32 Unë nuk erdha t’i thërras të kthehen të drejtët, por mëkatarët.”

Çështja e agjërimit

(Mt 9, 14‑17; Mk 2, 18‑22)

33 Atëherë ata i thanë:

“Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve ‑ përkundrazi, të tutë hanë e pinë.”

34 Jezusi u përgjigj:

“A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta? 35 Tani vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.”

36 U tregoi edhe krahasimin:

“Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t’ia vënë petkut të vjetër, përndryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër. 37 Askush nuk e shtie verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen: 38 por vera e re duhet të hidhet në rrëshiqa të rinj.

39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s’i lakmon verës së re, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë!”

Luka: 6. Jezusi dhe e shtuna

6

1 Një të shtunë, kur Jezusi po kalonte nëpër të mbjella, nxënësit e tij këputnin kallinj, i shkokëlonin në dorë dhe i hanin. 2 Atëherë disa farisenj thanë:

“Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

3 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi kur u urit ai dhe përcjellësit e tij? 4 [Si] hyri në Shtëpinë e Hyjit, i mori bukët e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin me të, bukët, që s’kishte leje t’i hajë askush tjetër përveç priftërinjve?”

5 Dhe u tha:

“Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”

Njeriu me dorë të thatë

(Mt 12, 9‑14; Mk 3, 1‑6)

6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kishin për çka ta paditnin. 8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë:

“Çohu e dil në mes!”

Ai u ngrit e qëndroi në këmbë.

9 Atëherë Jezusi vazhdoi:

“Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?”

10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij:

“Shtrije dorën!”

Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin mes tyre çka të ndërmarrin kundër Jezusit.

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt

(Mt 10, 1‑4; Mk 3, 13‑19)

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

Shërbim popullit

(Mt 4, 23‑25)

17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.

Lumturitë e mjerimet

(Mt 5, 1‑12)

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë,

sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

21 Të lumët ju që tani keni uri,

sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani,

sepse do të qeshni!

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,

kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë,

kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.

Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë,

sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,

sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qeshni,

sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

Dashuria kundrejt armiqve

(Mt 5, 38‑48; 7, 12a)

27 “Por po ju them juve që më dëgjoni:

‘Duajini armiqtë tuaj,

bëjuni mirë atyre që ju urrejnë,

28 bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’.

29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë!

31 Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!

32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë.

35 Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.

36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

Mos i gjykoni të tjerët

(Mt 7, 1‑5)

37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”

39 U tha edhe shëmbëlltyrën:

“A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë? 40 Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet.

41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd?

42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishtën, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”

Pema njihet prej fryteve të saj

(Mt 7, 17‑20; 12, 34b‑35)

43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. 44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra.

45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra.”

Dy themelet

(Mt 7, 24‑27)

46 “Pse më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’, e nuk bëni si ju urdhëroj?

47 Do t’ju tregoj se kujt i përngjan çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon fjalën time e që e vë në veprim: 48 ai i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë e vet, mihu dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë. 49 Kurse ai që e dëgjon, por nuk e vë në veprim fjalën time, i përngjan njeriut, që e ndërtoi shtëpinë përmbi dhe ‑ pa themel: u vërsul lumi e menjëherë e rrëzoi: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe.”

Luka: 7. Shërimi i shërbëtorit të centurionit

7

1 Pasi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum. 2 Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër. 3 Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin. 4 Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten:

“Meriton t’ia kryesh këtë nder 5 sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.”

6 Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë:

“Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim 7 ‑ prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë, ndonëse jam vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ ‑ dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ ‑ dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ ‑ dhe ai e bën.”

9 Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: “Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.”

10 Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.

Të ngjallurit e djalit të vejushës së Nainit

11 Pastaj Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit. 12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, po sillnin përjashta qytetit një të vdekur ‑ djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. 13 Kur e pa Zotëria, pati dhembshuri për të dhe i tha:

“Mos qaj”

14 U afrua, preku vigun ‑ ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha:

“Djalosh, ty po të them: çohu!”

15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.

16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë:

“Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!”

17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap fjala për të.

Të dërguarit e Gjon Pagëzuesit

(Mt 11, 2‑19)

18 Për të gjitha këto e vunë në dijeni Gjonin nxënësin e tij. Gjoni i thirri dy prej nxënësve të vet 19 dhe i dërgoi te Zotëria për ta pyetur: “A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”

20 Këta, kur erdhën te Jezusi, i thanë:

“Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të të pyesim: ‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’“

21 Pikërisht në atë çast Jezusi shëroi shumë njerëz prej sëmundjesh, prej dhimbjesh, prej shpirtrash të ndytë, edhe shumë të verbëve ua dhuroi dritën e syve. 22 Atëherë iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka patë e çka dëgjuat:

‘të verbërit po fitojnë dritën e syve’, të shqeptët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e ‘skamnorëve u shpallet Ungjilli’. 23 I lumi ai që nuk do ta bjerrë besimin në mua!”

24 Kur të dërguarit e Gjonit shkuan, Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Ç’dolët të shihni në shkretëtirë? Një kallam që e tund era? 25 Atëherë, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me petka të bukura? Porse njerëzit që veshen me petka të bukura, me shkëlqim e jetojnë në kënaqje banojnë në pallate mbretërore! 26 Por, çka atëherë dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: edhe më tepër se një profet! 27 Gjoni është ai, për të cilin u shkrua në Shkrimin e shenjtë:

Qe unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje për ta bërë gati para teje udhën tënde.’

28 Unë po ju them: s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni! Megjithatë, edhe më i vogli në Mbretërinë e Hyjit, është më i madh se ai.

29 Populli mbarë që e dëgjoi ‑ edhe vetë tagrambledhësit ‑ duke u pagëzuar me pagëzimin e Gjonit, e dëshmuan drejtësinë e Hyjit. 30 Kurse, farisenjtë e mësuesit e Ligjit, duke mos pranuar të pagëzohen prej tij, e përbuzën planin e Hyjit që kishte për të mirën e tyre.

31 Me kë, pra, t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin? 32 U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe e thërrasin njëri‑tjetrin, sipas asaj fjale:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

33 Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’ 34 Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’

35 Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.”

Mëkatarja e falur

36 Një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët e tij dhe, duke qarë, filloi t’ia lajë këmbët me lot, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha:

“Simon, dua të të them diçka.”

“Fol, Mësues!” ‑ iu përgjigj ai.

41 “Një huadhënës ‑ vazhdoi Jezusi ‑ kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”

43 Simoni iu përgjigj:

“Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”

“Mirë pleqërove! ‑ i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit:

“A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon së puthuri këmbët e mia. 46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”

48 Atëherë i tha gruas:

“Të janë falur mëkatet!”

49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”

50 Por ai i tha gruas:

“Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”

Luka: 8. Disa gra e përcjellin Jezusin

8

1 Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta e ndihmonin Jezusin e nxënësit.

Shëmbëlltyra e mbjellësit

(Mt 13, 1‑9; Mk 4, 1‑9)

4 Si u tubua turmë e madhe e popullit, që erdhën nga qytete të ndryshme tek ai, Jezusi foli në shëmbëlltyrë:

5 “Doli mbjellësi për të hedhur farën. E, ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë pranë udhës: u shkelën dhe i hëngrën zogjtë e qiellit. 6 Disa të tjera ranë në gurishte; mbinë, por u thanë, sepse nuk kishte lagështinë. 7 Disa ranë në ferra; ferrat, duke u rritur bashkë me to, ua morën frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë; mbinë e dhanë fryt njëqind fish.”

Kur i tha këto fjalë, theksoi:

“Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

Qëllimi i shëmbëlltyrave

(Mt 13, 10‑17; Mk 4, 10‑12)

9 Nxënësit e tij e pyetën çka do të thotë ajo shëmbëlltyrë. 10 Ai iu përgjigj:

“Ju e keni dhuratë dijen e mistereve të Mbretërisë së Hyjit, kurse të tjerëve u paraqitet vetëm në shëmbëlltyra, që:

‘Të shikojnë e të mos shohin,

të dëgjojnë e të mos kuptojnë. ’

Shtjellimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit

(Mt 13, 18‑23; Mk 4, 13‑20)

11 “Ky është vështrimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit:

Fara është fjala e Hyjit. 12 Ato ‘pranë udhës’, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por pastaj u vjen djalli dhe ua nxjerr nga zemra fjalën, që të mos besojnë e të mos shëlbohen. 13 Ato ‘në gurishte’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën e pranojnë me gëzim, porse nuk kanë rrënjë: për disa kohë besojnë, por kur vjen koha e tundimit, e lënë fenë. 14 Ato ‘në ferra’, janë ata që e dëgjuan, por ende në udhë, ua zënë frymën kujdeset tokësore, pasuritë dhe kënaqësitë e jetës e nuk japin fryte të pjekura. 15 Ato ‘në tokë të mirë’, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”

Shëmbëlltyra e dritëzës nën enë

(Mk 4, 21‑25)

16 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.

17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.

18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”

Nëna e vëllezërit e Jezusit

(Mt 12, 46‑50; Mk 3, 31‑35)

19 Nëna e tij dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit. 20 E lajmëruan:

“Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.”

21 Ai iu përgjigj:

“Nëna ime e vëllezërit e mi ‑ janë këta ‑ që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”

Të qetësuarit e stuhisë

(Mt 8, 23‑27; Mk 4, 35‑41)

22 Një ditë Jezusi e nxënësit e tij hipën në barkë. Ai u tha:

“Të kalojmë në atë anë të liqenit!”

U larguan prej bregut e morën liqenin. 23 Ndërsa po lundronin, atë e zuri gjumi. Ndërkaq mbi liqen u lëshua stuhi e madhe, në barkë hynte ujë e ishin në rrezik. 24 Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:

“Mësues, Mësues! U mbytëm!”

Ai u zgjua, iu kërcënua stuhisë e valëve të ujit ‑ dhe u qetësuan e ranë në fashë. 25 U tha:

“Ku e keni fenë?!”

Ata, të frikësuar e të mrekulluar, i thoshin njëri‑tjetrit:

“Vallë, kush është ky, që po u urdhëron erërave e ujit dhe ata po i binden?”

Shërimi i të djallosurit prej Gezarës

(Mt 8, 28‑34; Mk 5, 1‑20)

26 Dhe kaluan në krahinën e gergezenëve, që është përballë Galilesë.

27 Posa doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte në trup djajtë. Kaherë nuk veshte më petka, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza. 28 Kur e pa Jezusin bërtiti me të madhe, i ra ndër këmbë dhe i tha me zë të lartë:

“Çka ke me mua, o Jezus, Biri i Hyjit tejet të Lartë? Po të lutem mos më mundo!”

29 Sepse Jezusi i kishte urdhëruar shpirtit të ndytë të dalë prej atij njeriu, që e kishte pushtuar kaherë e, edhe pse e mbanin lidhur në hekura dhe e ruanin në pranga, ai i këpuste prangat e djalli e bënte të merrte arratinë në vende të pabanuara.

30 Jezusi e pyeti:

“Si e ke emrin?”

“Legjion!” u përgjigj ‑ sepse shumë djaj i kishin hyrë në trup. 31 Ata iu lutën të mos u urdhëronte të shkonin në ferr.

32 Aty ishte një tufë e madhe thish që po kulloste në mal dhe djajtë iu lutën t’u lejonte të hyjnë në ta. Ai ua lejoi. 33 E djajtë, si dolën prej njeriut, hynë në thi. Tufa e tyre u lëshua turr prej greminës në liqen dhe u mbyt.

34 Barinjtë, kur panë se ç’ndodhi, ikën e lajmëruan në qytet e në fshatra. 35 Njerëzit dolën të shohin ç’ndodhi. Erdhën te Jezusi dhe gjetën te këmbët e Jezusit atë njeri prej të cilit kishin dalë djajtë. Ishte veshur e shëndoshë në mend. U hyri frika.

36 Ata që qëlluan pranë, u treguan si u shërua i djallosuri.

37 Atëherë mbarë populli i krahinës së gergezenëve iu lut Jezusit që të largohej prej tyre, sepse e kapi frikë e madhe.

Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.

38 Njeriu, prej të cilit dolën djajtë, i lutej ta merrte me vete, por Jezusi e përcolli me këto fjalë:

39 “Kthehu në shtëpinë tënde ‑ i tha ‑ dhe trego gjithçka që bëri Hyji për ty.”

Ai shkoi dhe tregoi anembanë qytetit çka bëri Jezusi për të.

Jezusi ngjall të bijën e Jairit

(Mt 9, 18‑26; Mk 5, 21‑43)

40 Kur Jezusi u kthye, populli e priti me gëzim, sepse të gjithë e prisnin me padurim. 41 Dhe, ja, erdhi një njeri, me emër Jair, që ishte kryetar i sinagogës. Ky i ra ndër këmbë Jezusit e iu lut të shkojë në shtëpi të tij, 42 sepse ‑ vajzën e dëshirit vetme, reth dymbëdhjetëvjeçare ‑ e kishte në fill të vdekjes.

Ndërsa Jezusi po shkonte atje, populli, duke u shtyrë rreth tij, e ndeshte.

43 Një grua që kishte derdhje gjaku tash dymbëdhjetë vjet, (e që kishte shpenzuar tërë pasurinë e vet ndër mjekë) dhe askush s’kishte mundur ta shërojë, 44 u afrua nga mbrapa, ia preku kindin e petkut e menjëherë i pushoi derdhja e gjakut.

45 Jezusi pyeti:

“Kush më preku?”

E pasi të gjithë mohuan, Pjetri i tha:

“Mësues, mbarë turma e popullit po shtyhet rreth teje e po të ndesh... !”

46 Por Jezusi vijoi:

“Dikush më preku, sepse e ndjeva një fuqi duke dalë prej meje.”

47 Kur gruaja pa se nuk po mund të mbetej e padiktuar, duke u dridhur e tëra, doli para tij dhe tregoi në sy të popullit përse e kishte prekur dhe se si ishte shëruar përnjëherë. 48 Jezusi i tha:

“Bija ime, feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”

49 Ndërsa Jezusi ende po fliste, ja tek erdhi një prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i tha:

“Vajza jote vdiq! Mos e mundo më Mësuesin!”

50 Jezusi, kur e dëgjoi, i tha:

“Mos ki frikë! Ti vetëm beso! Ajo do të shpëtojë!”

51 Kur erdhi te shtëpia, nuk la askënd të hyjë brenda përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, babait dhe nënës së fëmijës. 52 Të gjithë e qanin dhe e vajtonin. Jezusi u tha: “Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle!” 53 Ata e përqeshën sepse e dinin mirë se kishte vdekur. 54 Ai e kapi për dore dhe i tha:

“O vajzë, çohu!”

55 Asaj iu kthye shpirti dhe menjëherë u çua. Jezusi u urdhëroi t’i japin vajzës menjëherë të hajë. 56 Prindërit e saj mbetën të mallëngjyer. Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt çka ndodhi.

Luka: 9. Misioni i të Dymbëdhjetëve

9

1 Jezusi i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u dha zotësi e pushtet mbi të gjithë djajtë si dhe aftësinë të shërojnë sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të shpallin Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë (të sëmurët). 3 E u tha:

“Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili të mos ketë më se dy këmisha. 4 Në atë shtëpi që të hyni, aty rrini derisa të qëndroni në atë vend. 5 Nëse ndokush nuk do t’ju pranojë, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni pluhurin prej këmbëve tuaja si dëshmi kundër tyre.”

6 Ata u nisën dhe rende‑rendas u ranë fshatrave duke predikuar Ungjillin e duke shëruar gjithkund.

Shqetësimi i Herodit

(Mt 14, 1‑12; Mk 6, 14‑29)

7 Herodi tetrark kishte dëgjuar për të gjitha këto ngjarje dhe ishte shumë i shqetësuar, sepse disa thoshin: “U ngjall Gjoni së vdekuri!” 8 Disa të tjerë: “U duk Elia!” Disa të tjerë prapë: “U ngjall një prej profetëve të vjetër!”

9 Kurse Herodi tha: “Gjoni! Atij unë ia preva kokën! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?” E kërkonte rastin ta shihte.

Jezusi ushqen pesë mijë vetë

(Mt 14, 13‑21; Mk 6, 30‑44; Gjn 6, 1‑14)

10 Kur apostujt u kthyen, i treguan Jezusit gjithçka kishin bërë. Jezusi i mori me vete e i çoi në vetmi, në drejtim të qytetit që quhet Betsaidë. 11 Por, kur e mori vesh populli, iu vu mbrapa. Ai i pranoi me njerëzi e u predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi.

12 Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë:

“Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.”

13 “Jepuni ju të hanë!” ‑ u tha ai.

Ata iu përgjigjën:

“Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!”

14 E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!”

15 Bënë ashtu: i ulën të gjithë. 16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara.

17 Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin

(Mt 16, 13‑19; Mk 8, 27‑29)

18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ‑ ishin me të vetëm nxënësit e tij ‑ ai u bëri këtë pyetje:

“Kush thonë njerëzit se jam unë?”

19 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”

20 “Po ju ‑ i pyeti atëherë ata ‑ kush mendoni se jam unë?”

U përgjigj Pjetri:

“Ti je Mesia i Hyjit!”

21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.

Jezusi paralajmëron vdekjen e ngjalljen e vet

(Mt 16, 20‑28; Mk 8, 30‑9, 1)

22 E vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

26 Për të vërtetë, kujt t’i vijë turp për mua e për fjalët e mia, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut kur të hyjë në lavdinë e vet, të Atit dhe të engjëjve të shenjtë.

27 Për të vërtetë po ju them: disa këtu të pranishëm nuk do të vdesin, para se ta shohin Mbretërinë e Hyjit.”

Shndërrimi i Jezusit

(Mt 17, 1‑8; Mk 9, 2‑8)

28 Reth tetë ditë pas këtyre predikimeve, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.

30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të; 33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:

“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.

34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”

36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.

Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

Jezusi shëron një djalosh të djallosur

(Mt 17, 14‑18; Mk 9, 14‑27)

37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, i doli përpara një turmë e madhe e popullit. 38 Dhe ja, papritmas, një njeri prej popullit, bërtiti:

“Mësues, po të lutem, ma shiko djalin tim: është i vetmi që kam! 39 E kap shpirti i keq e menjëherë bërtet. E tund andej‑këndej dhe e bën të shkumojë dhe mezi largohet prej tij pasi e dërrmon krejtësisht. 40 I luta edhe nxënësit e tu që ta dëbojnë, por nuk ia dolën.”

41 Jezusi u përgjigj:

“O brezni e pafe dhe e prishur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj? Sille këtu djalin tënd!”

42 E, ndërsa djaloshi po afrohej, e kapi djalli, e hodhi për tokë dhe e përplaste. Jezusi iu kërcënua shpirtit të ndytë, pastaj e shëroi djaloshin dhe ia dorëzoi të atit.

43 Të gjithë mbetën të mrekulluar prej madhërisë së Hyjit.

Jezusi rishtas paralajmëron vdekjen e vet

(Mt 17, 22‑23; Mk 9, 30‑32)

Ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte, Jezusi u tha nxënësve të vet:

44 “Thadroni mirë në zemër këto fjalë që po ju them: Biri i njeriut do të bjerë në dorë të njerëzve.”

45 Por ata nuk e morën vesh këtë fjalë. Kjo për ta mbetej fshehtësi e nuk e kuptonin. Madje kishin frikë ta pyesnin për këtë fjalë.

Kush është më i madhi?

(Mt 18, 1‑5; Mk 9, 33‑37)

46 Ndër ta lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 47 Jezusi, duke e ditur ç’mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes, 48 dhe u tha:

“Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.”

Kush nuk është kundër jush, është me ju

(Mk 9, 38‑40)

49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha:

“Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.”

Një fshat i Samarisë nuk e pranon Jezusin

51 Kur erdhi koha që Jezusi të ngrihej nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem.

52 Përpara dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. 53 Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. 54 Kur e panë këtë gjë, nxënësit ‑ Jakobi e Gjoni, thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë ‘që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhdukë?’“ 55 Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi.

56 Dhe u nisën për një fshat tjetër.

Nxënësit e vërtetë të Jezusit

(Mt 8, 19‑22)

57 Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha:

“Unë dua të vijë pas teje ngado që të shkosh!”

58 Jezusi iu përgjigj:

“Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

59 Një tjetri i tha:

“Eja pas meje!”

Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!”

60 “Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

61 Atëherë i tha një tjetër:

“Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.”

62 “Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”

Luka: 10. Dërgimi i të shtatëdhjetedyve

10

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”

Vaj për qytetet e papenduara

(Mt 11, 20‑24)

13 “Vaj për ty, o Korazin, vaj për ty, o Betsaidë! Sepse të kishin ndodhur në Tir e në Sidon mrekullitë që ndodhën në ju, kaherë, të veshur në grathore e të mbuluar me hi do të kishin bërë pendesë! 14 Prandaj, Tiri e Sidoni Ditën e Gjyqit do ta kenë më lehtë se ju!

15 E ti, o Kafarnaum, a thua ndoshta ‘do të lartësohesh deri në qiell?

do të plandosesh deri në fund të ferrit!’

16 Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua. Kush ju përbuz ju, më përbuz mua. Kush përbuz mua, përbuz Atë që më ka dërguar.”

Kthimi i të shtatëdhjetë e dyve

17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë:

“Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!”

18 Jezusi u tha:

“Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”

Gëzimi i Jezusit

(Mt 11, 25‑27; 13, 16‑17)

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!

Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22 Gjithçka më dorëzoi im Atë!

Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,

dhe kush është Ati, përveç Birit

dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht:

“Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”

Samaritani i mirë

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

Jezusi në vizitë te Marta e Maria

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:

“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”

Luka: 11. Mësimi mbi lutjen

11

1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”

2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni:

O Atë!

U shenjtëroftë Emri yt!

Ardhtë Mbretëria jote!

3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!

4 Na i fal mëkatet tona,

sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.

E mos lejo të biem në tundim!”

5 Dhe u tha:

“Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë, ’ 7 e ai prej brenda i përgjigjet: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ ‑ 8 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. 9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera.

11 Dhe, cili prej jush që është babë, po i lypi djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? 13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!”

Jezusi dhe Beelzebuli

(Mt 12, 22‑30; Mk 3, 20‑27)

14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”

Kthimi i shpirtit të ndytë

(Mt 12, 43‑45)

24 “Kur shpirti i ndytë të ketë dalë prej njeriut, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim, e, duke mos e gjetur, thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë time nga dola’. 25 Kur kthehet, e gjen të fshirë e të stolisur. 26 Atëherë shkon e merr me vete edhe shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se veten, hyjnë e banojnë aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.”

Lumturia e vërtetë

27 Ndërsa ai po fliste për këtë gjë, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha:

“Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!”

28 Ai u përgjigj:

“Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!”

Të dijshmit kërkojnë një shenjë

(Mt 12, 38‑42; Mk 8, 12)

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! 32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

Drita e trupit

(Mt 5, 15; 6, 22‑23)

33 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë në vend të fshehtë [ose nën shinik], por përmbi pishtar, që ta shohin dritën ata që hyjnë. 34 Syri yt është dritëza e trupit. Kur syri yt është i shëndoshë, krejt trupi është në dritë, porse, kur është i sëmurë, edhe trupi yt është në terr. 35 Shiko, pra, që drita që është në ty të mos jetë e errët! 36 Nëse, pra, trupi yt i tërë është në dritë, pa asnjë pjesë të errët, atëherë do të jetë i tërë në dritë, sikurse kur dritëza të ndriçon me rrezet e veta.”

Qortimi i hipokrizisë së farisenjve dhe skribëve

(Mt 23, 1‑36; Mk 12, 38‑40; Lk 20, 45‑47)

37 Ndërsa ai ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. 38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit. 39 Zotëria i tha:

“Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. 40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

42 Porse; vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e lini pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!

44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit, pa ditur, ecin mbi to!”

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha:

“Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!”

46 “Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!

47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore! 49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!”

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i bëjnë shumë pyetje, 54 duke i ngrehur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë prej gojës së tij.

Luka: 12. Qortimi kundër hipokrizisë

12

1 Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit ‑ mijëra e mijëra ‑ aq sa shkelnin njëri‑tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:

“Ruajuni prej tharmit të farisenjve d. m. th. hipokrizisë! 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.”

Kë të druani?

(Mt 10, 28‑31)

4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”

Dëshmimi i Krishtit para njerëzve

(Mt 10, 32‑33; 12, 32; 10, 19‑20)

8 “Unë po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tiji para engjëjve të Hyjit. 9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.

10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje. 11 Pastaj, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni [se] si do të mbroheni e çka do të thoni: 12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.”

Shëmbëlltyra e pasanikut të pamend

13 Atëherë dikush prej turmës i tha:

“Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.”

14 “Or mik, ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?”

15 Atëherë u tha:

“Vëriani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.”

16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte me vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia. ’18 Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ 20 Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.”

Kujdesi dhe shqetësimi

(Mt 6, 25‑34; 19‑21)

22 Pastaj u tha nxënësve:

“Prandaj po ju them: Mos u shqetësoni për jetën tuaj: çka do të hani, as për trupin tuaj: me çka do ta veshni, 23 sepse jeta është më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku. 24 Vëreni korbat! As nuk mbjellin as nuk korrin, nuk kanë as qilar as grunar e Hyji i ushqen. Sa më të vlefshëm jeni ju se shpendët!

25 E cili prej jush, sado që të kujdeset me shqetësim, mund ta zgjasë shtatin e vet edhe për një kut? 26 Pra, nëse nuk mundeni as më të voglën gjë, përse atëherë shqetësoheni për të tjerat?

27 Vëreni si rriten zambakët! As nuk tjerrin as nuk bëjnë vekë. E unë po ju them: as Salomoni në tërë madhërinë e vet, nuk ishte i veshur si një ndër ta. 28 Nëse, pra, Hyji e vesh në këtë mënyrë barin që sot është e nesër hidhet në furrë, sa më shumë do të bëjë për ju, o fepakë?

29 Prandaj mos kërkoni çka do të hani e do të pini ‑ mos u shqetësoni! 30 Të gjitha këto i kërkojnë paganët e kësaj bote; ndërsa për ju e di mirë Ati juaj se keni nevojë për to. 31 Por, kërkoni Mbretërinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë.

32 Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë!

33 Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.

34 Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.”

Shërbëtori i kujdesshëm

(Mt 24, 45‑51)

35 “Jini gati ‑ të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura ‑ 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. 37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. 38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata!

39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”

41 Atëherë Pjetri tha:

“Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?”

42 Zotëria iu përgjigj:

“Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.

45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.

47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”

Jezusi shkak përçarjeje

(Mt 10, 34‑36)

49 “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

53 babai do të zihet me djalin,

e djali me babain,

nëna me të bijën,

e bija me t’ëmën,

vjehrra me të renë

e reja me vjehrrën.”

Shenjat e kohës

(Mt 16, 2‑3)

54 Pastaj iu drejtua turmës:

“Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh. 55 Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. 56 Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?”

Ndrequ me paditësin tënd

(Mt 5, 25‑26)

57 “Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë? 58 Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në ujdi me të ‑ që të mos nxjerrë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. 59 Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të fundit qindarkë.”

Luka: 13. Pendohuni ose sharruat

13

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

Shëmbëlltyra e fikut të pafryt

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte... Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

Jezusi shëron të shtunën një grua të kërrusur

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.

Shëmbëlltyra e farës së sinapit dhe e tharmit

(Mt 13, 31‑33; Mk 4, 30‑32)

18 Atëherë u tha:

“Me çka është e ngjashme Mbretëria e Hyjit? Me çka ta krahasoj? 19 Është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në kopsht të vet. Ajo me kohë u zhvillua e u bë pemë dhe shpendët e qiellit bënë çerdhe në degët e saj.”

20 Dhe vijoi:

“Me çka tjetër ta krahasoj Mbretërinë e Hyjit? 21 Ajo i përngjan tharmit, të cilin e mori gruaja, e përzjeu me tri masë miell, derisa u mbrua krejt.”

Dera e ngushtë

(Mt 7, 13‑14; 21‑23)

22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 23 Një njeri e pyeti:

“Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”

Ai u tha:

24 “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.

25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ 27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!”

Vajtimi mbi Jerusalem

(Mt 23, 37‑39)

31 Po në atë moment iu afruan disa farisenj dhe i thanë:

“Dil e ik së këndejmi se Herodi do të të vrasë!”

32 Ai iu përgjigj:

“Shkoni e thuajini asaj dhelpre: Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj, të tretën ditë i jap fund. 33 Porse sot, nesër e pasnesër më duhet ta vazhdoj rrugën, sepse nuk ka hije që profeti të vdesë jashtë Jerusalemit.

34 Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët e me gurë i mbyt ata që të dërgohen! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klluka i bashkon nën krahë zogjtë e vet ... e ju nuk deshët! 35 Mirë, pra, ‘shtëpia juaj do t’ju lihet juve!’ Jo po, unë po ju them: nuk do të më shihni më deri [që të vijë dita] të thoni:

‘Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit’!”

Luka: 14. Shërimi i njeriut që kishte hidropizinë

14

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 2 Kur, ja, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi. 3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve:

“A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?”

4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkojë. 5 Atyre pastaj u tha:

“Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?”

6 Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.

Qortim miqve dhe të zotit të shtëpisë

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur:

“Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.”

Shëmbëlltyra e darkës së madhe

(Mt 22, 1‑10)

15 Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha:

“Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!”

16 Jezusi i tha:

“Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’ 18 Por të gjithë ‑ si të ishin marrë vesh ‑ zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’ 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’ 22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e afër gardheve e shtrëngoji njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!”

Sa kushton të jesh nxënës i Jezusit

(Mt 10, 37‑38)

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

Kripa e pashije

(Mt 5, 13: Mk 9, 50)

34 “Kripa është gjë e mirë; por, në qoftë se kripa e humb shijen e vet, me çka do të mund të kripet? 35 Nuk vlen as për tokë as për pleh. Hidhet jashtë.

Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

Luka: 15. Shëmbëlltyra e deles së humbur

15

1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

Shëmbëlltyra e drahmës së humbur

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”

Shëmbëlltyra e djalit të humbur e të gjetur

11 Pastaj vijoi:

“Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’

20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir... !’

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’

E filluan të dëfrehen.

25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“

Luka: 16. Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pandershëm

16

1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih... ? Nuk mundem! Të dal e të lyp... ? Më vjen turp! 4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ 6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.

9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:

Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

Ligji dhe Mbretëria e Hyjit

(Mt 11, 12‑13)

14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin. 15 Jezusi u tha:

“Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.

16 Ligji e profetët arrinë deri në kohën e Gjonit. Që atëherë shpallet Mbretëria e Hyjit dhe gjithkush nxiton me forcë të hyjë brenda.

17 Më lehtë është të mbarojnë qielli e toka se të bjerë poshtë edhe një vizë nga Ligji.

18 Secili që lëshon gruan e vet e merr një tjetër, shkel kurorën. Po ashtu edhe ai që martohet me gruan e shkurorëzuar, bën kurorëthyerje.”

Njeriu i pasur dhe Lazri skamnor

19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ 25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, 28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ 29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“

Luka: 17. Jezusi bën disa qortime

17

1 Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë. 2 Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve. 3 Ruajuni fort!

Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale! 4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë:

‘Më vjen keq’!, fale!”

5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje:

“Na e shto fenë!”

6 Zotëria u tha:

“Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.

7 Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ 8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? 10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. ’“

Shërimi i dhjetë të gërbulurve

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”

14 Kur i pa u tha:

“Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas. 17 Jezusi mori fjalën e tha:

“Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”

Ardhja e Mbretërisë së Hyjit

(Mt 24, 23‑28; 37‑41)

20 I pyetur prej farisenjve: “Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?” ai iu përgjigj:

“Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!”

22 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Ja, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni! 24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij]. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë. 28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë. 30

Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet. ”[36]

37 Atëherë e pyetën:

“Ku, o Zotëri?”

“Ku të jetë kufoma ‑ iu përgjigj ‑

aty do të mblidhen edhe shqiponjat.”

Luka: 18. Shëmbëlltyra e gruas së vejë dhe e gjykatësit

18

1 U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë.

2 Ai tha:

“Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. ’“

6 Zotëria vazhdoi:

“Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”

Shëmbëlltyra e fariseut dhe e tagrambledhësit

9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:

10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ 13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

Jezusi bekon fëmijët

(Mt 19, 13‑15; Mk 10, 13‑16)

15 Disa ia binin edhe foshnjat që t’i bekonte. Nxënësit, kur i shihnin, ua ndalonin. 16 Jezusi i grishi fëmijët dhe tha:

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos ua ndaloni, sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit.

17 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija, nuk do të hyjë në të.”

Bujari pasanik

(Mt 19, 16‑30; Mk 10, 17‑31)

18 Një bujar i bëri këtë pyetje:

“Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

19 Jezusi iu përgjigj:

“Përse më thua ‘i mirë?’ Askush s’është i mirë, përveç një Hyji të vetëm! 20 Urdhërimet i di:

‘Mos the kurorën!

Mos vra!

Mos vidh!

Mos dëshmo rrejshëm!

Ndero babain tënd dhe nënën!’“

21 Ai atëherë i tha:

“Të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë!”

22 Kur e dëgjoi, Jezusi i tha:

“Të mungon vetëm edhe një gjë: shit gjithçka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh visar në qiell! Atëherë eja e më ndiq!”

23 Ky, si e dëgjoi këtë fjalë, u trishtua, sepse ishte shumë i pasur.

24 Jezusi, kur e pa [se u trishtua], tha:

“Sa të vështirë e kanë pasanikët të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit! 25 Më lehtë e ka devja të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!”

26 Ata që dëgjuan, i thanë:

“Po kush atëherë do të mund të shëlbohet?”

27 “Çka s’mund të bëjnë njerëzit ‑ u tha ‑ Hyji mund ta bëjë.”

28 Atëherë foli Pjetri:

“Ja, ne lamë gjithçka patëm e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi u tha nxënësve:

“Për të vërtetë po ju them: nuk mund të gjendet kund ai njeri që la për dashuri ndaj Mbretërisë së Hyjit, shtëpinë ose gruan, ose vëllezërit ose prindërit ose fëmijët 30 që të mos marrë shumëfish edhe në këtë e në botën e ardhshme jetën e pasosur.”

Jezusi të tretën herë paralajmëron vdekjen e të ngjallurit e vet

(Mt 20, 17‑19; Mk 10, 32‑34)

31 Pastaj i mori me vete të Dymbëdhjetët dhe u tha:

“Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të plotësohen të gjitha që u shkruan nga profetët për Birin e njeriut: 32 sepse do t’u dorëzohet paganëve, të cilët do ta vënë në lojë, do ta salvojnë e do ta pështyjnë, 33 e, pasi ta frushkullojnë, do ta vrasin. Ai veç do të ngjallet të tretën ditë.”

34 Por ata s’morën vesh asgjë çka u tha. Këto fjalë për ta ishin fshehtësi e nuk kuptonin çka Jezusi u thoshte.

Shërimi i të verbërit prej Jerihos

(Mt 20, 29‑34; Mk 10, 46‑52)

35 Kur Jezusi po i afrohej Jerihos, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është. 37 Ata i thanë:

“Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.”

38 Ai zuri të bërtasë:

“Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe:

“Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti:

41 “Çka dëshiron të bëj për ty?”

Ai u përgjigj:

“Zotëri, që të shoh”

42 “Shih! ‑ i tha Jezusi ‑ Të shpëtoi feja jote!”

43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.

Luka: 19. Jezusi dhe Zakeu

19

1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet.

2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.

5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin:

“Ktheu të rrijë te një mëkatar!”

8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:

“Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!”

9 Atëherë Jezusi i tha:

“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

Shëmbëlltyra e dhjetë mnave

(Mt 25, 14‑30)

11 Ndërsa ata po e dëgjonin, ai shtoi shëmbëlltyrën për arsye se mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyjit aty për aty, pse Jezusi ishte afër Jerusalemit. 12 Tha, pra:

“Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. 13 I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’

14 Por bashkëqytetarët e tij e urrenin dhe dërguan pas tij përfaqësues për të thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.’

15 Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ia sjellin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar.

16 Doli i pari dhe tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha dhjetë mna.’ 17 Ai iu përgjigj: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë! Pasi qe besnik në një gjë kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!’

18 Erdhi edhe i dyti e tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha edhe pesë mna.’ 19 ‘Sundo ‑ i tha edhe këtij ‑ edhe ti mbi pesë qytete!’

20 Atëherë erdhi një tjetër e tha: ‘Zotëri, qe mnaja jote! E ruajta të mbështjellë në rizë. 21 U frikësova prej teje sepse je njeri i rreptë: merr çka nuk depozitove, korr çka nuk mbolle.’

22 Ai iu përgjigj: ‘Të dënoj pikërisht prej fjalëve të tua, shërbëtor i keq! E dite se jam njeri i rreptë, që marr çka nuk depozitova, korr çka nuk mbolla! 23 Pse nuk e depozitove paranë time në bankë që, kur të kthehesha, ta merrja bashkë me kamatë?’ 24 Atëherë u tha të pranishmëve: ‘Merrjani mnanë e jepjani atij që ka dhjetë!’ [25 Ata i thanë: ‘Zotëri, ai i ka dhjetë mna!’] 26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 27 Ndërkaq armiqtë e mi ‑ ata që nuk më deshën për mbret ‑ sillni këtu dhe vritni para syve të mi!”

Jezusi hyn kremtorisht në Jerusalem

(Mt 21, 1‑11; Mk 11, 1‑11; Gjn 12, 12‑19)

28 Si i tha këto, vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem.

29 Kur iu afrua Betfages dhe Betanisë, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nxënës 30 dhe u tha:

“Shkoni në fshatin që është përballë. Sa të hyni në të, do të gjeni një gomar të lidhur, në shpinë të të cilit ende askush nuk ka hipur. Zgjidheni dhe silleni! 31 Nëse ndokush ju pyet: ‘Pse po e zgjidhni?’ thoni kështu: ‘Po i duhet Zotërisë!’“

32 Të dërguarit shkuan dhe gjetën ashtu si u kishte thënë. 33 Ndërsa ata po e zgjidhnin gomarin, të zotët e gomarit u thanë: ‘Pse po e zgjidhni gomarin?’

34 Ata u gjegjën:

“Po i duhet Zotërisë.”

35 Dhe e sollën te Jezusi dhe, pasi i vunë petkat e veta mbi gomar, i ndihmuan të hipë edhe Jezusi. 36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, njerëzit shtronin udhës petkat e veta.

37 Ishte tashmë afër teposhtës së Malit të Ullinjve, dhe ja, tërë ajo mori nxënësish, filloi plot gëzim e me zë të lartë të lëvdojë Hyjin për të gjitha veprat e madhërueshme që kishte parë 38 dhe thoshte:

“‘Qoftë bekuar ai që vjen

‑ mbret ‑ në emër të Zotit!

Në qiell paqe,

lavdi në më të lartin qiell!’“

39 Atëherë i thanë disa farisenj që ishin në popull:

“Mësues, qortoji nxënësit e tu!”

40 Ai iu përgjigj:

“Unë po ju them: nëse këta do të heshtin, gurët do të klithin!”

41 Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha:

“O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.”

Dëbimi i tregtarëve nga Tempulli

(Mt 21, 12‑17; Mk 11, 15‑19; Gjn 2, 13‑22)

45 Kur hyri në Tempull, zuri t’i dëbojë jashtë shitësit. 46 U tha:

“Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje

e ju e bëtë shpellë cubash!’“

47 Çdo ditë mësonte në Tempull.

Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit 48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.

Luka: 20. Çështja e pushtetit të Jezusit

20

1 Një ditë, ndërsa Jezusi po e mësonte popullin në Tempull dhe po shpallte Ungjillin, iu afruan kryepriftërinjtë dhe skribët bashkë me krerët e popullit 2 e i thanë:

“Na trego me ç’pushtet i bën këto punë? Dhe kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?”

3 “Edhe vetë do t’ju pyes diçka ‑ iu përgjigj ‑ Më tregoni: 4 Pagëzimi i Gjonit a ishte prej Qiellit apo prej njerëzve?”

5 Ata bënë në vetvete këtë arsyetim: ‘Nëse themi: ‘Prej Qiellit’, do të na përgjigjet: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’ 6 Nëse themi: ‘Prej njerëzve, ’ mbarë populli do të na vrasë me gurë, sepse është plotësisht i bindur se Gjoni është profet.’ 7 Prandaj iu përgjigjën se nuk e dinin prej nga ishte.

8 Edhe Jezusi iu përgjigj:

“As unë s’po ju them me ç’pushtet i bëj këto punë.”

Shëmbëlltyra e vreshtarëve vrastarë

(Mt 21, 33‑46; Mk 12, 1‑12)

9 Atëherë zuri t’i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri mbolli një vresht, ua dha vreshtarëve përgjysmë dhe u nis në rrugë për një kohë të gjatë.

10 Kur erdhi koha, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët për t’i dhënë pjesën e prodhimit të vreshtit. Por vreshtarët e rrahën shërbëtorin dhe e nisën duarthatë. 11 Atëherë ai dërgoi një shërbëtor tjetër. Por ata edhe atë e rrahën, e çnderuan dhe e përcollën duarthatë. 12 Dërgoi edhe të tretin. Mirëpo ata edhe atë e plagosën dhe e dëbuan jashtë.

13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: ‘Çka të bëj? Po dërgoj djalin tim ‑ djalin e dishirit. Ndaj tij, të paktën, do të kenë nderim!’

14 Por vreshtarët, kur e panë, zunë të pleqërojnë me vete e thanë: ‘Ky është trashëgimtari. Ta vrasim që pasuria të na mbesë neve!’ 15 E qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.

Ç’do t’u bëjë, tani, i zoti i vreshtit? 16 Do të vijë e do t’i vrasë vreshtarët e vreshtën do t’ua japë të tjerëve.”

Ata, kur e dëgjuan, thanë:

“Prite, Zot!”

17 Por Jezusi i përshkoi me shikim dhe u tha:

“Po ç’vështrim, pra, ka fjala e Shkrimit të shenjtë:

‘Guri që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit erdhi e u bë guri i këndit?’

18 Kushdo që bie mbi atë gur do të thërmohet e mbi kë të bjerë ai, do ta dërrmojë.”

19 Skribët e kryepriftërinjtë aty për aty dëshironin të vënë dorë në të, por druanin popullin. Fort mirë e morën vesh se për ta e tregoi këtë shëmbëlltyrë.

Tatimi duhet t’i paguhet Cezarit

(Mt 22, 15‑22; Mk 12, 13‑17)

20 Dhe filluan ta përgjojnë me kujdes, andaj dërguan spiunë. Këta të paraqiteshin si njerëz të mirë me qëllim që ta zënë në fjalë për t’ia dorëzuar zyrës së mbarështuesit të drejtësisë e pushtetit të qeveritarit. 21 Këta edhe e pyetën:

“Mësues, e dimë se flet të drejtën ‑ ti nuk i mban krah askujt, por mëson udhën e Hyjit pa zhibla. 22 A kemi leje t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo?”

23 Jezusi e hetoi dredhinë e tyre e u tha:

24 “Ma tregoni denarin... ! Fytyrën dhe mbishkrimin e kujt ka?”

Ata iu përgjigjën:

“Të Cezarit!”

25 “Jepini, pra ‑ u tha ‑ Cezarit çka i përket Cezarit, kurse Hyjit jepini çka i përket Hyjit!”

26 Nuk mundën ta zënë në fjalë para popullit, por, të habitur prej përgjigjes së tij, heshtën.

Çështja e ringjalljes

(Mt 22, 23‑33; Mk 12, 18‑27)

27 Pastaj iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje:

28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatët nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatët e patën grua?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra. 36

Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.

37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’ 38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”

39 Atëherë disa skribë u përzinë në bisedë e thanë:

“Mësues, mirë the!”

40 S’patën më guxim të rragaten me të për asgjë.

Çështja rreth Birit të Davidit

(Mt 22, 41‑46; Mk 12, 35‑37)

41 Por ai i pyeti ata:

“Si mund të thuhet se Mesia është biri i Davidit?

42 Kurse vetë Davidi në librin e Psalmeve thotë:

‘I tha Zoti Zotit tim

rri në të djathtën time

43 derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë të këmbëve të tua!’

44 Davidi, pra, e quan ‘Zot’, si atëherë mund t’i jetë ‘bir?’“

Qortimi i hipokrizisë së skribëve

(Mt 23, 1‑36; Mk 12, 38‑40: Lk 11, 37‑54)

45 U tha nxënësve [të vet] para mbarë popullit:

46 “Ruajuni prej skribëve të cilëve u ka ëndja të shëtisin në petka të gjata e të kërkojnë t’i përshëndesin njerëzit nëpër sheshe, të zënë selitë e para nëpër sinagoga, kryet e vendit në gosti; 47 përlajnë shtëpitë e vejushave e nga ana tjetër bëjnë lutje të gjata për sy e faqe. Këta do të gjykohen shumë më ashpër.”

Luka: 21. Dhurata e vejushës

21

1 Jezusi shikoi dhe pa se si të pasurit po hidhnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës. 2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore që hodhi dy lepta 3 dhe tha:

“Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë. 4 Sepse të gjithë të tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamjes së vet gjithçka pati për jetesë.”

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit

(Mt 24, 1‑2; Mk 13, 1‑2)

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

Shenjat dhe salvimet

(Mt 24, 3‑14; Mk 13, 3‑13)

7 E pyetën:

“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12 Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 16 Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”

Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit

(Mt 24, 15‑21; Mk 13, 14‑19)

20 “Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet! 22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë. 23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzëna e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.”

Ardhja e Birit të njeriut

(Mt 24, 29‑31; Mk 13, 24‑27)

25 “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tij. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’ 27 e atëherë ‘do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri.

28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kokën lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!”

Mësimi i fikut

(Mt 24, 32‑35; Mk 13, 28‑31)

29 Pastaj u tregoi shëmbëlltyrën:

“Vëreni fikun e të gjitha pemët. 30 Kur të bulëzojnë edhe vetë e dini se vera është afër. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dijeni se Mbretëria e Hyjit është afër. 32 Për të vërtetë po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha. 33 Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë.”

Rrini gati

34 “Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës që ajo Ditë të mos ju vijë papritmas, 35 sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. 36 Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.”

37 Jezusi ditën mësonte në Tempull, atëherë dilte për të kaluar natën në malin që quhet i Ullinjve. 38 Mbarë populli ngrihej herët në mëngjes e shkonte tek ai në Tempull për ta dëgjuar.

Luka: 22. Komploti kundër Jezusit

22

1 Ndërkaq po afroheshin të kremtet e Bukëve të Pabrume që quhen Pashkë. 2 Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin Jezusin, sepse druanin.

3 Atëherë djalli hyri në Judën që quhet Iskariot, i cili ishte një nga të Dymbëdhjetët. 4 Ai shkoi për të biseduar me kryepriftërinjtë e me krerët e rojes së Tempullit në ç’mënyrë t’ua shtinte në dorë. 5 Ata u gëzuan dhe i premtuan t’i japin të holla. 6 Juda pranoi. Që atëherë kërkonte rastin t’ua dorëzonte kur të mos ishte populli pranë.

Përgatitjet e Darkës së Pashkëve

(Mt 26, 17‑25; Mk 14, 12‑21; Gjn 13, 21‑30)

7 Erdhi dita e Bukëve të Pabrume, kur duhej të flijohej qengji i Pashkëve. 8 Atëherë Jezusi dërgoi Pjetrin e Gjonin dhe u tha:

“Shkoni e na bëni gati Darkën e Pashkëve.”

9 “Ku dëshiron ta bëjmë gati” ‑ e pyetën ata.

10 “Posa të hyni në qytet ‑ u tha ai ‑ do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë me ujë. Shkoni pas tij. Në atë shtëpi që të hyjë ai, 11 thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi të çon fjalë: ku është dhoma e bukës në të cilën do të mund të ha me nxënësit e mi Darkën e Pashkëve?’ 12 Ai atëherë do t’jua tregojë në kat një sallon të madh të shtruar: aty na bëni gati.”

13 Ata shkuan e gjetën ashtu si u tha dhe e përgatitën Darkën e Pashkëve.

Themelimi i Eukaristisë

(Mt 26, 26‑30; Mk 14, 22‑26; 1 Kor 11, 23‑25)

14 Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt. 15 U tha:

“Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj, 16 sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.”

17 Atëherë mori gotën, falenderoi e tha:

“Merreni e ndajeni mes jush! 18 Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të pi më fryt hardhie derisa të vijë Mbretëria e Hyjit.”

19 Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha:

“Ky është trupi im [që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!”

20 E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha:

“Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju. ”]

21 “Por, ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë! 22 Biri i njeriut njëmend po shkon ashtu siç u caktua, porse, i mjeri ai njeri që po e tradhton!”

23 Ata zunë ta pyesnin njëri‑tjetrin cili prej tyre do të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

Diskutimi rreth më të madhit

24 Atëherë apostujt filluan të grinden mes tyre: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 25 Jezusi u tha:

“Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! 26 Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben. 27 Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.”

28 “Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua. 29 Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë: 30 që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.”

Paralajmërimi i mohimit të Pjetrit

(Mt 26, 31‑35; Mk 14, 27‑31; Gjn 13, 36‑38)

31 “Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju shoshë porsi grurin! 32 Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.”

33 “Zotëri ‑ i tha Pjetri ‑ jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje!”

34 Jezusi iu përgjigj:

“Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndojë gjeli, para se ti të mohosh tri herë se më njeh!”

Qesja, strajca dhe shpata

35 Dhe u tha:

“Kur ju dërgova pa qese, pa strajcë e pa sandale a ju mungoi gjë?”

“Asgjë! ‑ u përgjigjën ata.

36 Atëherë u tha:

“Tani, kush ka qese, le ta marrë! Po ashtu edhe strajcën! E kush nuk ka shpatë, le t’i shesë petkat e veta e le ta blejë! 37 Sepse, unë po ju them: në mua duhet të vërtetohet fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘U radhit ndër keqbërës!’ Vërtet, gjithçka u parafol për mua, po shkon në vend.”

38 Ata i thanë:

“Zotëri, ja, këtu dy shpata!”

Ai iu përgjigj:

“Mjaftojnë!”

Lutja në Malin e Ullinjve

(Mt 26, 36‑46; Mk 14, 32‑42)

39 Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Pas tij shkuan edhe nxënësit. 40 Kur arriti në atë vend, u tha:

“Lutuni që të mos bini në tundim!”

41 Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri të lutet:

42 “O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt!” 43

Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. 44 Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.

45 U çua prej lutjes, shkoi te nxënësit. I gjeti fjetur. I kishte këputur trishtimi. 46 U tha:

“Pse po flini? Çohuni! Lutuni të mos bini në tundim!”

Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit

(Mt 26, 47‑56; Mk 14, 43‑50; Gjn 18, 3‑11)

47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, ia behu një turmë. Në krye të saj ishte ai që quhet Judë ‑ njëri prej të Dymbëdhjetëve. Ai iu afrua Jezusit për ta puthur.

48 Jezusi i tha:

“O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?”

49 Ata që ishin përreth tij, duke parë çka po ndodhte, thanë:

“Zotëri, a t’u biem me shpatë?”

50 Dhe njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit e ia preu veshin e djathtë, 51 Jezusi tha:

“Zini vend! Mjaft!” ‑ dhe ia preku veshin e ia shëroi.

52 Atëherë Jezusi u tha atyre që kishin ardhur kundër tij, kryepriftërinjve e krerëve të rojës së Tempullit dhe pleqve:

“Erdhët, si të isha unë cub, me shpata e shkopinj! 53 Përditë isha në Tempull me ju e nuk çuat dorë mbi mua. Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ.”

Pjetri i bie mohit

(Mt 26, 57‑58; 69‑75;Mk 14, 53‑54. 66‑72;Gjn 18, 12‑18, 25‑27)

54 E kapën, pra, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri e ndiqte për së largu. 55 Ata ndezën zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri.

56 Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha:

“Edhe ky ishte me të!”

57 Ai i ra mohit:

“Nuk e njoh, moj fisnike!”

58 Pak më vonë e vuri re një tjetër e tha:

“Edhe ti je prej tyre!”

“Nuk jam, o njeri!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

59 Dhe pas, diku pas një ore, një tjetër tha:

“Me të vërtetë edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!”

60 Pjetri u përgjigj:

“ S’di ç’po thua, o burrë!”

Dhe tamam atëherë, ndërsa ende po fliste ‑ këndoi gjeli. 61 Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pati thënë: ‘Para se sot të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!’

62 Doli përjashta dhe qau thekshëm.

Jezusin e përqeshin dhe e rrahin

(Mt 26, 67‑68; Mk 14, 65)

63 Njerëzit që e ruanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin. 64 ia mbulonin fytyrën dhe i thoshin “Dëftohu profet ‑ gjeje kush të ra!” 65 I thoshin edhe shumë të shara të tjera.

Jezusi para Këshillit të Lartë

(Mt 26, 59‑66; Mk 14, 55‑64; Gjn 18, 19‑24)

66 Kur zbardhi drita u mblodhën krerët e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, e çuan Jezusin në Këshillin e Lartë të vetin 67 dhe i thanë:

“Nëse ti je Mesia, na thuaj!”

Ai u përgjigj:

“Nëse ju them, s’do të më besoni; 68 nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni. 69 Por pas këtij momenti, Biri i njeriut do të rrijë në të djathtën e Hyjit të gjithëpushtetshëm.”

70 Atëherë i thanë të gjithë:

“Ti, pra, qenke Biri i Hyjit?!”

Ai u përgjigj:

“Ju thoni të vërtetën! Unë jam!”

71 Atëherë ata thanë:

“Ç’dëshmi tjetër na duhet? Ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij!”

Luka: 23. Jezusi para Pilatit

23

1 Atëherë u ngritën të gjithë së bashku, e çuan te Pilati 2 dhe zunë ta padisin:

“Këtë njeri e zumë duke nxitur tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia ‑ Mbret.”

3 Pilati e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

Ai iu përgjigj:

“Ti po thua!”

4 Pilati u tha atëherë kryepriftërinjve dhe vegjëlisë:

“Kurrfarë faji s’po gjej në këtë njeri.”

5 Por ata ngulnin këmbë duke thënë:

“Ky po çon në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që prejGalilesë, ku ia filloi e deri këtu.”

Jezusi para Herodit

6 Në këto fjalë Pilati pyeti a mos është ky njeri galileas. 7 Kur e mori vesh se është nën pushtetin e Herodit, e dërgoi te Herodi që, ndër ato ditë, gjendej edhe ai në Jerusalem.

8 Herodi u gëzua fort kur e pa Jezusin. Kaherë kishte pasur dëshirë ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte se do të shihte ndonjë mrekulli të tijën. 9 I bëri shumë pyetje, porse Jezusi s’iu përgjigj fare. 10 Aty ishin edhe krerët e priftërinjve dhe skribët, të cilët e paditnin me këmbëngulje. 11 Herodi, bashkë me ushtarët e vet e përbuzi Jezusin dhe e vuri në lojë: e veshi me petk të bardhë dhe ia ktheu Pilatit. 12 Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq.

Jezusi i gjykuar për vdekje

(Mt 27, 15‑26; Mk 15, 6‑15; Gjn 18, 39‑19, 16)

13 Pilati grishi në mbledhje krerët e priftë‑ rinjve, anëtarët e Këshillit të lartë dhe 14 dhe u tha:

“Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni. 15 Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16 Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj.” [17]

18 Por ata zunë të bërtasin njëzëri:

“Këtë vritie e na liro Barabën!”

19 Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje. 20 Pilati foli prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin. 21 Por ata bërtitnin:

“Kryqëzoje! Kryqëzoje!”

22 Ai u tha të tretën herë:

“Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen. Do ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj.”

23 Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha.

24 Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata. 25 Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje ‑ atë që kërkuan ‑ kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre.

Kryqëzimi i Jezusit

(Mt 27, 32‑44; Mk 15, 21‑32; Gjn 19, 17‑27)

26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit.

27 Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin. 28 Jezusi u kthye kah ato dhe tha:

“Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj! 29 Sepse, ja, po vjen koha, kur do të thuhet: ‘Lum beronjat! Lum ato që s’lindën kurrë e që nuk patën kujt t’i japin gji!’ 30 Atëherë do të fillojnë

‘t’u thonë maleve: bini mbi ne!

e kodrave: na mbuloni!’

31 Sepse, nëse veprohet kështu me drunë e njomë, çka do të ndodhë me të thatën?”

32 I sollën edhe dy të tjerë ‑ keqbërës për t’i vrarë bashkë me të.

33 Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

[34 E Jezusi lutej:

“Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”]

E ‘për t’i ndarë petkat e tij hodhën short’.

35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:

“Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”

36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”

38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:

“Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”

40 Por ai tjetri e qortoi shokun:

“As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”

42 Dhe tha:

“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!”

43 E Jezusi i tha:

“Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

Vdekja e Jezusit

(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Gjn 19, 28‑30)

44 Ishte rreth orës gjashtë e terri e mbështolli mbarë tokën deri në orën nëntë. 45 Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes.

46 Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha:

“O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!”

Si tha këto, dha shpirt.

47 Centurioni, kur pa ç’ndodhi, zuri të lëvdojë Hyjin dhe tha: “Ky njeri ishte me të vërtetë i drejtë!”

48 Po edhe të gjithë njerëzit, që u grumbulluan për të parë ngjarjen, kur panë se ç’ndodhi, u kthyen duke rrahur kraharorin.

49 Të gjithë miqtë e tij rrinin larg, po ashtu edhe gratë, që e kishin përcjellë prej Galilesë, dhe po vërenin.

Varrimi i Jezusit

(Mt 27, 57‑61; Mk 15, 42‑47; Gjn 19, 38‑42)

50 Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre. 51 Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit. 52 Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit.

53 Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur.

54 Ishte dita e Përgatitjes, e po afrohej e shtuna. 55 E përcollën edhe gratë që erdhën me Jezusin prej Galilesë; e panë varrin dhe si u vu trupi i Jezusit. 56 Pastaj u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajëra të erëndshëm.

Të ngjallurit e Jezusit

(Mt 28, 1‑10; Mk 16, 1‑8; Gjn 20, 1‑10)

Të shtunën mbajtën pushimin e caktuar [prej Ligjit].

Luka: 24. Udhëtimi për Emaus

24

1 Të parën ditë të javës, fort heret, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot]. 4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë:

“Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet ‑ thoshte ai ‑ që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“

8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë të tjerët. 10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan.

12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi me vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.

Udhëtimi për Emaus

(Mk 16, 12‑13)

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti:

“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”

Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:

“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”

19 Ai i pyeti:

“Po çka?”

Ata iu përgjigjën:

“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”

25 Ai u tha:

“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”

27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë:

“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”

Dhe hyri që të rrijë me ta.

30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:

“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:

“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

Jezusi u dëftohet apostujve

(Mt 28, 16‑20; Mk 16, 14‑18; Gjn 20, 19‑23; Vap 1, 6‑8)

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha:

“Paqja me ju!”

37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha:

“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”

40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:

“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”

42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“

45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha:

“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti.”

Të ngriturit në qiell

(Mk 16, 19‑20; Vap 1, 9‑11)

50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. 51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. 52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem 53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.