Juda: Gjyqi dhe predikatarët e rrejshëm

1

Juda, shërbëtori i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit: të dashurve në Hyjin Atë, të ruajturve për Jezu Krishtin – të grishurve.

2 Paçi me begati mëshirë, paqe dhe dashuri!

Gjyqi dhe predikatarët e rrejshëm

(2 Pjt 2, 1-17)

3 Të dashur!

Ndërsa plot kujdes mendoja t’iu shkruaj lidhur me shëlbimin e përbashkët, e ndjeva veten të detyruar t’iu jap zemër me anë të letrës të luftoni për fenë që u qe dhënë shenjtërve njëherë e përgjithmonë. 4 Sepse disa njerëz depërtuan me dredhi ndër ju – të cilët që moti kanë qenë shënuar për dënim – njerëz të patenzonë, hirin e Hyjit tonë e zëvendësojnë me ndyrësi dhe e mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin Zotërues dhe Zotin tonë.

5 Tani dëshiroj t’ju përkujtoj – ndonëse tanimë i dini të gjitha këto njëherë e përgjithmonë – se Zoti, pasi e shpëtoi nga dheu i Egjiptit, i shfarosi ata që nuk besuan. 6 Po edhe engjëjt që nuk e ruajtën denjësinë e vet, por e lanë banesën e vet, i ruajti për Gjyqin e Ditës së madhe të lidhur me pranga në errësirë. 7 Po kështu edhe Sodoma e Gomorra dhe qytetet përreth tyre, të cilat, sikurse edhe ato, u dhanë pas fëlligështisë dhe mëkatuan kundër natyrës, mbesin si shembull duke pësuar ndëshkimet në zjarr të pasosur.

8 Po kështu edhe këta ëndërrues çnderojnë trupin, përbuzin Madhërinë dhe shajnë Lavditë. 9 Ndërsa kryeengjëlli Mikael, kur fjalosej me Djallin rreth trupit të Moisiut, nuk pati guxim të shprehë gjyq fyes kundër tij, por tha: »Zoti ta mbylltë gojën10 Kurse këta çnderojnë çka nuk njohin; e në ato që, me anë të shqisave – si bagëtitë e paarsyeshme – i njohin, në to kalben.

11 Të mjerët ata, sepse ecin udhës së Kainit dhe, prej etjes së fitesës, u dhanë pas gabimit të Balaamit dhe sharruan në kryengritjen e Koreut.

12 Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë, kur hanë e pinë me ju pa farë frike dhe e ngopin barkun si bagëtia. Janë re pa ujë që erërat i sjellin këndej e andej, lëndë të pafrytshme të vjeshtës në mbarim, dy herë të thata, të nxjerra me rrënjë, 13 valë të tërbuara të detit që bëjnë të shkumojnë turpësitë e veta, yje të shkëputura, endacake, për të cilët ruhet terri i errësirës së përjetshme.

14 Mu për ta parakallëzoi i shtati pas Adamit, Henoku, kur tha: »Ja, po vjen Zoti me dhjetra mijëra engjëj të vet, 15 për t’i gjykuar të gjithë dhe për t’i ndëshkuar të gjithë të patenzonët për të gjitha fjalët fyese që i thanë kundër Tij – mëkatarët e pafe!« 16 Këta janë njerëz që murmurojnë dhe ankohen, jetojnë sipas prirjeve të veta të ulëta, goja u flet fjalë krenarie, kurse njerëzit i përkëdhelin për të nxjerrë dobi prej tyre.

Këshilla dhe porosi

17 Ju, o të dashur, kujtoni fjalët që ju paralajmëruan apostujt e Jezu Krishtit, Zotit tonë. 18 Ata ju thoshin: »Në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas prirjeve të veta të ulëta«. 19 Këta janë ata që mbjellin përçarje – njerëz thjesht shtazorë – që nuk e kanë Shpirtin Shenjt.

20 Por, ju o të dashur, ndërtojeni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. 21 Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur.

22 Disa – të ndërdyshmët – qortojini; 23 disa të tjerë shpëtojini duke ia rrëmbyer zjarrit; për disa të tjerë, prapë, kini mëshirë duke u trembur dhe urreni deri edhe petkun e përdhosur prej trupit të tyre.

Bekimi

24 Atij që mund t’iu ruajë të mos bini në mëkat dhe t’iu paraqesë të patëmetë me hare para Lavdisë së vet –