Danieli: 1. Djelmoshat e Judës në oborrin e Nabukodonozorit

1

1 Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi. 2 Zoti ia la në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë së hyjnive të veta.

3 Mbreti e urdhëroi Asfanazin, kryetarin e oborrtarëve të vet, që t’i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarë 4 disa djelmosha pa të meta, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që të mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.

5 Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga ushqimet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit. 6 Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Mizaeli dhe Azaria. 7 Kryetari i oborrtarëve ua ngjiti emrat: Danielit Baltazar, Ananisë Sedrak, Mizaelit Mizak dhe Azarisë Abdenago.

Besnikëria e Danielit ndaj Ligjit

8 Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tij dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej. 9 Zoti bëri që Danieli të gjente hir e mëshirë në sytë e kryetarit të oborrtarëve 10 dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: “E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.” 11 Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Mizaelit e Azarisë: 12 ”Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë, 13 atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.”

14 Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. 15 Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore. 16 Që atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.

Në shërbim të mbretit

17 Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dituri, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.

18 Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të nxirreshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit. 19 Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Mizaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit. 20 Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u bëri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.

21 Danieli qëndroi aty deri në vitin e parë të mbretit Cir.

Danieli: 2. Mbreti i pyet dijetarët e vet

2

1 Në vitin e dytë të mbretërimit të Nabukodonozorit, Nabukodonozori pa një ëndërr. Shpirti iu tmerrua dhe gjumi e la. 2 Mbreti dha urdhër që të mblidhen të gjithë dijetarët, magjistarët, shortarët dhe astrologët për t’i shpjeguar mbretit ëndrrat e tij. Ata erdhën dhe qëndruan para mbretit. 3 Mbreti u tha: “Kam parë një ëndërr e shpirti im është shqetësuar së tepërmi për t’ia ditur shpjegimin. 4 Kaldenjtë iu përgjigjën mbretit aramaisht:

“Rrofsh e qofsh përgjithmonë, o mbret! Tregojua shërbëtorëve të tu ëndrrën e ne do ta shtjellojmë.” 5 Mbreti u përgjigj e u tha kaldenjve: “E kam dhënë fjalën! Nëse nuk do të ma tregoni ëndrrën e nëse nuk do të ma shtjelloni, copë e grimë do t’ju bëj e shtëpitë tuaja do t’i kthej në llomishtë. 6 Ndërsa, nëse do të ma tregoni ëndrrën dhe nëse do të ma shpjegoni, çmime, dhurata e nder të madh do të merrni prej meje. Pra, ma tregoni ëndrrën dhe domethënien e saj!” 7 Ata përsëri iu përgjigjën e thanë: “Mbreti le t’ua tregojë shërbëtorëve të vet ëndrrën e ne do t’ia tregojmë domethënien e saj.” 8 U përgjigj mbreti e tha: “Unë mirë po shoh se ju dëshironi të fitoni në kohë pasi e dini se kam dhënë fjalën. 9 Në qoftë, pra, se nuk do të ma tregoni ëndrrën, ju pret po i njëjti dënim. Ju keni rënë në përkim të thoni para meje ndonjë fjalë të rreme e gënjyese derisa të kalojë koha. Pra, ma tregoni ëndrrën time që ta di sesi do të ma shtjelloni.”

10 Kaldenjtë u përgjigjën para mbretit e thanë: “S’ka njeri mbi tokë që të mund t’ia plotësojë kërkesën mbretit. Prandaj, s’ka mbret aq të madh dhe aq të pushtetshëm që të kërkojë një gjë të tillë prej çdo dijetari, magjistari ose kaldeu.

11 Kërkesa që ti, o mbret, e lyp është tepër e rëndë dhe s’gjendet ai që kishte për t’ia zbuluar mbretit, me përjashtim të hyjnive, të cilët nuk banojnë me njerëz.”

12 Atëherë mbreti i hidhëruar, u ndez në zemërim dhe urdhëroi të vriten të gjithë dijetarët e Babilonisë.

Ndërhyrja e Danielit

13 Si u shpall urdhri për t’u vrarë të dijshmit, kërkonin që të vrisnin edhe Danielin e shokët e tij.

14 Atëherë Danieli, me fjalë të urta e me mençuri, iu drejtua Ariokut, kryetarit të rojës trupore të mbretit, i cili kishte dalë për t’i vrarë të dijshmit e Babilonisë. 15 Danieli i tha Ariokut, që kishte marrë pushtetin prej mbretit: “Për ç’arsye ka dalë prej mbretit një urdhër kaq i pashpirt?”

16 Pasi Arioku ia dëftoi arsyen Danielit, Danieli hyri te mbreti dhe iu lut t’i jepte pak kohë dhe ai do t’ia zbulonte mbretit domethënien e ëndrrës.

17 Pastaj Danieli shkoi në shtëpi të vet dhe u tregoi shokëve Ananisë, Mizaelit e Azarisë punën 18 që të luten e të kërkojnë mëshirë prej Hyjit Qiellor në lidhje me këtë fshehtësi që të mos sharrojnë Danieli e shokët e tij bashkë me dijetarët e Babilonisë. 19 Atëherë Danielit në vegim nate i qe zbuluar fshehtësia dhe Danieli e bekoi Hyjin Qiellor 20 e Danieli e mori fjalën e tha:

“Qoftë bekuar Emri i Zotit

prej shekullit në shekuj,

sepse e tij është urtia e fuqia,

21 Ai i ndërron kohët e stinët,

i rrëzon dhe i vendon mbretërit,

u jep të urtëve urtinë,

e të kuptueshëmve dijen.

22 Ai i zbulon thellësitë dhe të fshehtat,

i njeh gjërat që janë në errësirë,

sepse drita në Të e ka banesën.

23 Ty, o Hyj i etërve të mi,

të madhëroj e të lavdëroj,

sepse më dhe urtinë e fuqinë

e tani ma zbulove atë që kërkuam prej Teje,

sepse na e zbulove kërkesën e mbretit!”

24 Atëherë Danieli hyri tek Arioku, të cilin mbreti e kishte caktuar t’i vriste të dijshmit e Babilonit, e i tha kështu: “Mos i vra të urtët e Babilonit. Më nxjerr mua para mbretit dhe unë do t’ia tregoj mbretit domethënien e ëndrrës.” 25 Atëherë Arioku vrik e futi Danielin para mbretit e i tha: “E gjeta një njeri nga bijtë e shpërngulur të Judës, i cili mbretit do t’ia shpjegojë ëndrrën.” 26 Mbreti i tha Danielit, të quajtur Baltazar: “A vërtet të thotë mendja se mundesh të ma tregosh ëndrrën që kam parë dhe shpjegimin e saj?” 27 Danieli u përgjigj para mbretit: “Fshehtësinë që mbreti kërkon t’i shtjellohet, të urtët, dijetarët, shituesit, nuk janë të zotët t’ia tregojnë mbretit. 28 Por është një Hyj i vetëm në qiell, zbulues i fshehtësive, e Ai të tregoi, o mbreti Nabukodonozor, çka do të ndodhë në ditët e fundit. Ja, pra, ëndrra jote dhe vegimet që janë përshkuar nëpër kokën tënde ndërsa flije në shtratin tënd.

29 Ti, o mbret, fillove të përbluash me mendjen tënde, në shtratin tënd, çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe Zbuluesi i fshehtësive të zbuloi çfarë do të ndodhë. 30 Po edhe mua, jo me fuqi të dijes që është në mua, gjasme më e madhe se në të gjithë të gjallët e tjerë, më qe zbuluar kjo fshehtësi, por që të mund t’i jepet mbretit shtjellimi dhe që të mund t’i njohësh mendimet e zemrës sate.

31 Ti, o mbret, pate një vegim. Dhe, ja, një trupore shumë e madhe! Një trupore e madhe, me shtat shumë të lartë qëndronte përballë teje: pamja e saj ishte e tmerrshme. 32 Truporja kokën e kishte prej ari të kulluar, parzmën dhe krahët i kishte të argjendtë, kurse barkun e kofshët i kishte bronzi, 33 kockat e kërcirit të hekurta, kurse dërrasa e këmbëve një pjesë e hekurt e tjetra bote. 34 Ndërsa ti po e shikoje, dhe ja, u shkëput një gur pa dorë të kujt dhe e goditi truporen në këmbë të saj të hekurta e prej bote dhe i copëtoi. 35 Atëherë u copëtua gjithashtu edhe hekuri, dheu, bronzi, argjendi dhe ari e gjithçka u bë porsi byku në lëmë verës, i mori era e i treti e më s’u dit vendi i tyre; kurse guri që e goditi truporen, u bë mal i madh fort dhe e mbushi mbarë tokën. 36 Kjo ishte ëndrra. Shtjellimin e saj do ta japim para teje, o mbret!

Shpjegimi i ëndrrës

37 Ti je mbreti i mbretërve dhe Hyji i Qiellit ta dha ty mbretërinë, fuqinë, sundimin e lavdinë ‑ 38 e të gjitha vendet ku banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës e shpendët e ajrit: ai i dha në duart e tua e ty të bëri zotërinë e të gjithave: ti je koka e artë! 39 Pas teje do të dalë në shesh një mbretëri më e vogël se jotja e pastaj një mbretëri e tretë e bronztë, që do ta sundojë mbarë tokën. 40 Mbretëria e katërt do të jetë e fortë porsi hekuri. Porsi hekuri që thyen e thërmon gjithçka, do t’i thyejë e do t’i copëtojë të gjitha këto. 41 Kurse shputat e këmbëve që i pe pjesërisht prej bote e pjesërisht prej hekuri, do të jetë një mbretëri e ndarë: do të ketë njëfarë fuqie, sipas asaj që pe se ishte një pjesë hekuri e përzier me botë. 42 Gishtat e këmbëve pjesërisht hekuri e pjesërisht prej bote: mbretëria do të jetë pjesërisht e fortë e pjesërisht e dobët. 43 E fakti se pe se hekuri ishte i bashkuar me lloq bote: ato do të bashkohen me farë njerëzore, por nuk do të mund të qëndrojnë së bashku, sikurse edhe hekuri nuk mund të ngjitet me argjilë. 44 Në kohën e këtyre mbretërive, Hyji Qiellor do ta ngrejë një Mbretëri që kurrë e për këtë jetë nuk do të shkatërrohet as nuk do t’i lihet në dorë një populli tjetër: do t’i shkatërrojë e do t’i përpijë të gjitha këto mbretëri, kurse ajo do të qëndrojë për amshim. 45 E pasi pe se prej malit u shkëput një gur vetiu pa dorë të kujt dhe e copëtoi botën e hekurin, bronzin, argjendin e arin, Hyji i Madh i dëftoi mbretit çfarë do të vijë pastaj. Ëndrra është e vërtetë e shpjegimi i saj është besnik.”

Nabukodonozori dëshmon besimin në Hyjin

46 Atëherë mbreti Nabukodonozor ra me fytyrë përdhe përpara Danielit. Dha urdhër t’i kushtojnë fli e t’i djegin kem. 47 Mbreti pastaj mori fjalën e i tha Danielit: “Për të vërtetë Hyji juaj është Hyji i hyjnive, Zotëruesi i mbretërve dhe Zbuluesi i mistereve pasi munde ta zbulosh këtë fshehtësi.” 48 Mbreti i dha Danielit një zyrë të lartë, i dha dhurata të shumta e të mëdha dhe e vuri prijës mbi të gjitha krahinat e Babilonisë, princ mbi të gjithë qeveritarët, kryetar mbi dijetarët e Babilonisë. 49 Danieli kërkoi prej mbretit të caktojë për qeveritarë të krahinës së Babilonisë Sedrakun, Misakun dhe Abdenagon, kurse vetë Danieli qëndroi në pallatin e mbretit.

Danieli: 3. Nabukodonozori ngre një trupore ari

3

1 Mbreti Nabukodonozor punoi një trupore ari të lartë gjashtëdhjete kute e të gjerë gjashtë kute. E vendosi në rrafshin e Durës, në krahinën e Babilonisë. 2 Mbreti Nabukodonozor ftoi të bashkohen satrapët, udhëheqësit, gjyqtarët, prijësit, bujarët, qeveritarët e të gjithë princat e krahinave për të marrë pjesë në përurimin e trupores që mbreti Nabukodonozor kishte dhënë të punohej.

3 Atëherë u bashkuan satrapët, udhëheqësit, gjyqtarët, prijësit, bujarët e paranikët, që ishin në zyrat e larta, si dhe të gjithë prijësit e krahinave në përurimin e trupores që e kishte ndërtuar mbreti Nabukodonozor. Qëndronin para trupores që e kishte ngritur Nabukodonozori 4 e zëdhënësi thërriste me sa zë kishte: “O popuj, fise e gjuhë! Ja urdhri që ju jepet: 5 posa ta dëgjoni tingullin e borisë, zanamares, qestes, sambukës, psalterit, të orkestrit e të mbarë gjinive të veglave muzikore, bini përmbys e adhurojeni truporen e artë që vendosi mbreti Nabukodonozor! 6 Po qe se ndokush s’përkulet në adhurim, le të hidhet menjëherë në furrën e skuqur me zjarr!”

7 Pas këtij urdhri, mbarë popujt pasi e dëgjuan tingullin e borisë, zanamares, qestes, sambukës, psalterit, të mbarë orkestrës e veglave muzikore të çdo lloji, ranë përmbys të gjithë popujt, fiset e gjuhët dhe e adhuruan truporen e artë që e kishte ndërtuar mbreti Nabukodonozor.

Paditja dhe dënimi i judenjve

8 Menjëherë, po në atë kohë, u afruan disa kaldenj dhe paditën disa hebrenj. 9 I thanë mbretit Nabukodonozor: “O mbret, rrofsh sa malet! 10 Ti, o mbret, dhe urdhrin që çdo njeri, posa ta ketë dëgjuar zërin e borisë, zanamares, qestes, sambukës, psalterit, të orkestrës e të veglave muzikore të çdo lloji të përkulet në adhurim para trupores së artë; 11 e po qe se ndokush s’do të përkulet në adhurim, le të hidhet në furrën e skuqur me zjarr. 12 E pra, janë disa judenj, të cilët i vure në krye të krahinës së Babilonisë: Sedraku, Misaku e Abdenagoja: këta njerëz, o mbret, s’janë në kujdes: nuk i nderojnë hyjnitë e tua dhe nuk e adhurojnë truporen tënde që e ndërtove.”

13 Atëherë Nabukodonozori, i furishëm e i zemëruar, urdhëroi t’i sillen përpara Sedraku, Misaku e Abdenagoja. Këta burra u sollën para mbretit. 14 Duke turfulluar Nabukodonozori i pyeti: “A është e vërtetë, o Sedrak, Mizak e Abdenago, se nuk i nderoni zotat e mi dhe se truporen e artë që unë e ndërtova, nuk e adhuroni? 15 A jeni tani të gatshëm që, posa ta dëgjoni zërin e borisë, zamares, qestes, sambukës, psalterit, të orkestrës e të veglave muzikore të çdo lloji të përkuleni e ta adhuroni truporen që vetë e kam ndërtuar? Por, po qe se nuk e adhuroni, po në atë çast do të hidheni në furrën e skuqur me zjarr: e ku është ai hyj që të mund t’ju nxjerrë prej dorës sime?”

16 Sedraku, Misaku, Abdenagoja u përgjigjën e i thanë mbretit Nabukodonozor: “S’kemi nevojë as të përgjigjemi për këtë gjë: 17 në qoftë se Hyji ynë, të cilin e ardhurojmë, mund të na shpëtojë nga furra e skuqur me zjarr e nga dora jote, o mbret, Ai do të na lirojë. 18 Por, nëse nuk do të dojë, le ta dish, o mbret, se nuk i adhurojmë zotat e tu as nuk e adhurojmë truporen e artë që ti e ke ngritur.”

19 Atëherë Nabukodonozori, plot furi, i mërrolur në fytyrë kundër Sedrakut, Misakut e Abdenagos foli e urdhëroi të ndizej furra shtatë herë më tepër se ishte zakon të skuqej. 20 Atëherë, disa njerëzve, ndër më të fortit e ushtrisë së vet, i urdhëroi t’i lidhin Sedrakun, Misakun e Abdenagon e t’i hedhin në furrën e skuqur me zjarr. 21 Kështu, pra, qenë lidhur e, ashtu si ishin të veshur, me brekushe, me kësula, me sandale e me petka, qenë hedhur në furrën e skuqur me zjarr. 22 Urdhri ishte i prerë, furra ishte e skuqur deri aty, sa që ata njerëz, të cilët i hodhën Sedrakun, Misakun e Abdenagon në furrë, i dogji flaka e zjarrit, 23 kurse këta tre burra: Sedraku, Misaku e Abdenagoja ranë në furrë të skuqur, ashtu të lidhur.

/Sa vijon nuk gjendet në vëllimet hebraike/.

Kënga e Azarisë në furrë

24 Ata shëtisnin në mes të flakëve, lavdëronin Hyjin dhe e bekonin Zotin.

25 Azaria u ngrit në këmbë, u lut kështu, e duke hapur gojën në mes të zjarrit, tha:

26 “I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë,

i madhërueshëm, emri yt i lavdishëm në shekuj,

27 sepse je i drejtë në gjithçka na bëre,

të gjitha veprat e tua e udhët e tua janë të drejta,

të gjitha gjyqet e tua e vërtetë.

28 Ke marrë vendim të drejtë

në të gjitha gjërat që ke bërë të vijnë mbi ne

e mbi qytetin e shenjtë të etërve tanë,

Jerusalemin!

Sepse për shkak të mëkateve tona

Ti u solle me ne kështu

me të vërtetë e me drejtësi.

29 Vërtet mëkatuam e vepruam paudhësisht

duke u larguar prej teje,

porse tepër shumë mëkatuam!

30 S’i dëgjuam urdhërimet e tua,

as nuk i mbajtëm,

nuk bëmë ashtu si na urdhërove

për të mirën tonë!

31 Prandaj, gjithçka çove mbi ne

e gjithçka na bëre

na e bëre plotësisht me të drejtë!

32 Na lëshove në duar të armiqve tanë

keqbërësve, kryekëcyerve më të

mbrapshtë,

në duar të një mbreti të padrejtë,

më të ziut që ishte mbi tokë.

33 Tani as që guxojmë ta hapim gojën:

turpi e marrja i mbuloi ata

që të shërbejnë e të adhurojnë ty.

34 Oh, mos na lër për përgjithmonë

‑ pashë emrin tënd ‑

e mos e prish besëlidhjen tënde;

35 as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh,

pashë Abrahamin, të dashurin tënd,

pashë Izakun, shërbëtorin tënd,

e pashë Izraelin, shenjtin tënd,

36 të cilëve iu zotove

se do t’ua shumosh farën

porsi yjet e qiellit

e porsi rërën

që është në bregun e detit,

37 sepse, o Zot,

jemi pak’suar më shumë se të gjithë popujt,

të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën

në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!

38 Ne në këtë kohë nuk kemi

princ as profet as prijës,

fli shkrumbimi, therore,

as kushtime as kem,

as vend ku të t’kushtojmë ty

flitë e fryteve të para

që të mund të gjejmë mëshirë.

39 Por na prano me shpirt të përgrirë

e të përvujtëruar në shpirt,

porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish

40 porsi mijëra qengja të majmë

e tillë le të jetë flia jonë para teje sot

e përsosna ne që të vemi pas teje

sepse s’do të turpërohen

ata që shpresën e kanë vënë në ty.

41 Tani do të vemi pas teje me gjithë zemër,

ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.

42 Mos na turpëro,

por sillu me ne sipas butësisë sate

e sipas madhësisë së mëshirës sate.

43 Na shpëto me mrekullitë e tua

lavdi jepi emrit tënd, o Zot!

44 Të turpëruar le të mbesin të gjithë ata

që duan të keqen e shërbëtorëve të tu,

u turpërofshin e mbetshin pa farë pushteti,

iu theftë hovi, pa fuqi mbetshin!

45 Le ta dinë se ti je Zot,

Hyj i vetëm,

në mbarë botën i lavdishëm.”

46 Shërbëtorët e mbretit që i hodhën ata në furrë, nuk pushonin së hedhuri në të vaj toke, li, peshkve e rrozga. 47 Flaka çohej përmbi furrë dyzet e nëntë kutë, 48 shpërtheu e dogji edhe kaldenjtë që ishin përbri furrës. 49 Ndërkaq, engjëlli i Zotit zbriti te Azaria e shokët e tij në furrë dhe e dëboi flakën e zjarrit nga furra, 50 e u frynte në mes të furrës një freski vese. Zjarri aspak nuk i preku as s’u shkaktoi dhimbje as trazim.

Kënga e tre djelmoshave

51 Atëherë këta të tre, pothuajse një zëri e lavdëronin, e madhëronin dhe e bekonin Hyjin në furrë e thoshin:

52 “I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë,

i lavdishëm e tejet i lartësishëm në shekuj! I bekuar emri shenjt i lavdisë sate,

tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

53 I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë,

tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

54 I bekuar je në fronin e mbretërisë sate,

tejet i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

55 I bekuar je, ti që shqyrton humnerat

e që rri mbi kerubinë,

i lavdishëm e tejet i madhërueshëm në shekuj!

56 I bekuar je në kupën qiellore,

i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

57 Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin,

lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

58 Bekojeni, o qiej, Zotin,

lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

59 Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

60 Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

61 Të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

62 Diell e hënë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

63 Yjet e qiellit, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

64 Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

65 Të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

66 Zjarr e vapë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

67 Acar e vapë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e bekojeni në shekuj!

68 Vesë e brymë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

69 Akull e cegëm, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

70 Breshra e bora, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

71 Net e ditë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

72 Dritë e errësirë, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

73 Vetëtima e re, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

74 Toka e bekoftë Zotin,

e lëvdoftë dhe e madhëroftë në shekuj!

75 Bekojeni, o male e kodra, Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

76 Bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

77 Dete e lumenj, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

78 Bekojeni, burime, Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

79 Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

80 Të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

81 Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

82 Bijtë e njeriut, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

83 Bekoje, o Izrael, Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

84 Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

85 Shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

86 Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

87 Shenjtër e të përvuajtur në zemër, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

88 Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin,

lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Sepse Ai na shpëtoi nga Nëntoka,

na nxori nga pushteti i vdekjes,

na liroi nga furra e skuqur,

na shpëtoi nga mesi i flakëve!

89 Falënderojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e amshueshme është dashuria e tij!

90 Të gjithë ju që e druani Zotin,

bekojeni Hyjin e hyjnive,

lëvdojeni e falënderojeni,

sepse e amshueshme është dashuria e tij!”

Pranimi i mrekullisë

91/24/ Atëherë mbreti Nabukodonozor mbeti i habitur dhe u ngrit me nxitim. I pyeti bujarët e vet: “Po a nuk i hodhëm tre vetë të lidhur në zjarr?” Ata iu përgjigjën mbretit: “Po, o mbret!” 92/25/ Ai vazhdoi: “Po unë po shoh katër vetë të zgjidhur duke ecur në mes të zjarrit pa u bërë asnjë të keqe e i katërti e ka pamjen si djalë zotash.” 93/26/ Atëherë Nabukodonozori u afrua te gryka e furrës së skuqur e tha: “O Sedrak, Misak e Abdenago, shërbëtorët e Hyjit të Qiellit, dilni jashtë e ejani këtu!” Sedraku, Misaku e Abdenagoja menjëherë dolën nga zjarri.

94/27/ U mblodhën satrapët, bujarët, gjykatësit dhe të gjithë pushtetarët e mbretit e po i shikonin ata njerëz: zjarri nuk u kishte bërë farë dëmi në trup, nuk u ishte djegur asnjë fije floku, petku i tyre nuk ishte prekur dhe nuk ishte kapur në ta erë zjarri. 95/28/ Atëherë Nabukodonozori brohoriti: “Qoftë bekuar Hyji i tyre: i Sedrakut, i Misakut e i Abdenagos, i cili e dërgoi engjëllin e vet dhe i shpëtoi shërbëtorët e vet që besuan në të e nuk e dëgjuan urdhrin e mbretit, por e dhanë trupin e vet të digjet për të mos u shërbyer e për të mos i adhuruar hyjnitë e tjera, përveç Hyjit të vet! 96/29/ Prandaj, unë po urdhëroj: çdo popull, fis e gjuhë që të blasfemojë kundër Hyjit të Sedrakut, Misakut e Abdenagos le të bëhet copë e grimë e shtëpia e tij le të kthehet në plehërishtë, sepse nuk ka tjetër Hyj që mund të shpëtojë!”

97/30/ Atëherë mbreti i ngriti në nderime të larta zyrash Sedrakun, Misakun e Abdenagon në krahinën e Babilonisë.

ËNDRRA PËRKUJTUESE DHE MARRËZIA E NABUKODONOZORIT

98/31/ Mbreti Nabukodonozor, mbarë popujve, kombeve e gjuhëve përmbi mbarë tokën: Paqe e mirëqenie!

99/32/ E kam çmuar të arsyeshme t’jua shpall mrekullitë e shenjat që i kreu në mua Hyji i Qiellit.

100/33/ Shenjat e tij, oh, sa janë të mëdha!

Mrekullitë e tij, oh, sa janë të

mrekullueshme!

Mbretëria e tij, mbretëri e amshueshme!

Pushteti i tij brez pas brezi!

Danieli: 4. Nabukodonozori tregon ëndrrën e vet

4

1 Unë Nabukodonozori jetoja në qetësi në shtëpinë time e lulëzoja në pallatin tim, 2 dhe ja, pashë një ëndërr që ma futi frikën deri në palcë. Mendimet që më vinin në shtrat e përsiatjet që më përbluante truri, më shqetësuan. 3 Urdhërova: le të më sillen të gjithë dijetarët e Babilonisë për të ma shtjelluar ëndrrën. 4 Atëherë erdhën dijetarë, magjistarë, kaldenj, shtjellues shenjash. Unë ua tregova ëndrrën, por ata s’ditën të ma japin shtjellimin. 5 Atëherë erdhi para meje Danieli, i cili quhet Baltazar me emër të hyjit tim. Ky ka në vetvete shpirtin e zotave të shenjtë. Unë ia tregova ëndrrën time:

6 “Baltazar, prijësi i dijetarëve! Unë e di se në vetvete ke shpirtin e zotave të shenjtë dhe se asnjë fshehtësi s’është e vështirë për ty: ja vegimet që kam pasur në ëndërr: ma shtjello. 7 Vegimet që më kaluan nëpër tru, ndërsa isha në shtrat, janë këto:

Shikoja, dhe ja, një pemë në mes të tokës,

lartësia e saj shumë e madhe!

8 Pemë e madhe dhe e fortë,

me majë e prekte qiellin!

Mund të shihej nga skajet e tokës!

9 Gjethet e saj një bukuri,

e mbushur me fruta garguri:

ushqim në të kish’ për gjithkënd!

Kafshët e egra nën të banonin,

në gema të saj shpendët e qiellit,

çdo gjallesë prej saj ushqehej?

10 Ndërsa në shtrat nëpër kokën time

po valonin këto vegime,

kur, ja, roja

prej qiellit zbriti e një shenjt,

11 klithi me të madhe:

‘Priteni pemën, shkurtoni gemat,

hiqjani gjethet, tretjani frutat!

të ikin kafshët prej poshtë saj,

prej gemave shpendët t’i zhduken!

12 Në dhe lërjani me rrënjë trupin,

në vargje të hekurt, të bronztë,

në barin e tokës!

Le ta lagë vesa e qiellit,

pjesë të përbashkët me kafshët e egra

le ta ketë barin e tokës!

13 T’i ndërrohet zemra e njeriut,

t’i jepet zemër bagëtish!

Le të kalojnë mbi të shtatë kohë!

14 Këtë vendim e morën Rojtarët,

kërkesë kjo me urdhër të shenjtërve

që ta dijë gjithkush i gjallë

se përmbi mbretërinë njerëzore

mbretëron i Tejetlarti:

i jep mbretërinë atij që do,

më të voglin në kokë ia vë!’

15 Kjo është ëndrra që e pa mbreti Nabukodonozor. Ti, pra, o Baltazar, ma shtjello, sepse asnjë prej të gjithë dijetarëve të mbretërisë sime nuk është në gjendje të ma japë shtjellimin. Ti mundesh, sepse në ty është shpirti i zotave të shenjtë.”

Danieli e shtjellon ëndrrën

16 Atëherë Danieli, i mbiquajtur Baltazar, mbeti për ca kohë i shtanguar dhe i trazuar nga mendimet e veta. Mbreti mori fjalën e tha: “Baltazar, mos lejo të të marrë mendsh ëndrra dhe shtjellimi i saj!” Baltazari u përgjigj: “Imzot, ëndrra jote u rëntë armiqve të tu e shpjegimi i saj mbi kundërshtarët e tu! 17 Pema që e pe të lartë e të fortë, lartësia e së cilës prekte qiellin e që shihej në çdo skaj të tokës, 18 gemat e së cilës ishin shumë të bukur, frutat e së cilës me shumicë, që në të kishte ushqim për gjithkënd, nën të cilën banonin egërsirat e fushës, në gemat e së cilës banonin shpendët e qiellit, 19 je ti, o mbret, që u bëre i madhërueshëm e tejet i pushtetshëm, madhëria jote u rrit e arriti deri në qiell e pushteti yt deri në skajet e tokës. 20 Kurse ajo që pa mbreti se një rojtar e një shenjt zbriti prej qiellit e tha: ‘Prejeni pemën dhe copëtojeni, porse trungun e rrënjëve të saj lërëni në dhe e në pranga të hekurta e të bronzta, në barin e tokës e le të lahet nga vesa e qiellit e pjesën le ta ketë me kafshët e egra derisa të kenë kaluar mbi të shtatë kohë’, 21 ja ç’shtjellim ka, o mbret, vendimi i të Tejetlartit që do të zbatohet mbi zotërinë tim, mbretin: 22 do të të dëbojnë prej njerëzve, do të banosh me egërsirat e malit, do të hash bar porsi lopët dhe do të lagesh nga vesa e qiellit;

shtatë kohë do të kalojnë mbi ty

derisa ta kesh kuptuar

se i Tejetlarti ka pushtet

mbi mbretërinë e njerëzve,

dhe se ia jep atij kujt Ai do.

23 Lidhur me sa urdhëroi të lihet trungu i rrënjëve të saj, d. m. th. të pemës, mbretëria jote për ty do të mbesë, pasi ta kesh pranuar pushtetin e Qiellit. 24 Prandaj, o mbret, le të të pëlqejë këshilla ime: shpërbleji mëkatet e tua me lëmoshë e paudhësitë e tua me mëshirë ndaj skamnorëve: kështu do të gëzosh mirëqenie të gjatë.”

Ëndrra sendërtohet

25 Të gjitha këto shkuan në vend mbi mbretin Nabukodonozor.

26 Pasi kaluan dymbëdhjetë muaj, ndërsa po shëtiste në pallatin e mbretërisë së Babilonisë, 27 mbreti tha: “Vallë a s’është kjo Babilonia e madhe, që unë e ndërtova për kryeqytet të mbretërisë me fuqinë e forcës sime e me lavdinë e madhërisë sime?” 28 Ndërsa ende fjala ishte në gojën e mbretit, jehoi një zë prej qiellit: “Ty po të them, o mbreti Nabukodonozor, u hoq prej teje mbretërimi yt! 29 Do të të dëbojnë prej mesit të njerëzve e ti do të banosh me kafshë të egra: sanë do të hash porsi kau. Mbi ty do të shndërrohen shtatë kohë derisa ta dish se i Tejetlarti zotëron mbi mbretërinë e njerëzve dhe se ia jep atij kujt Ai do.”

30 Po në atë moment u plotësua fjala mbi Nabukodonozorin: qe dëbuar nga mesi i njerëzve, hëngri bar posi lopët, trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, flokët iu rritën e iu bënë porsi puplat e shqiponjës e thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve.

Nabukodonozori shërohet

31 “Kështu, kur morën fund ditët e caktuara, unë, Nabukodonozori, i lartësova sytë e mi kah qielli, atëherë m’u kthyen mendtë

atëherë e bekova të Tejetlartin,

e lëvdova dhe e madhërova të Gjallin e përhershëm,

sepse pushteti i Tij pushtet i amshueshëm,

mbretëria e tij brezni më brezni!

32 Të gjithë banorët e tokës

para tij janë asgjë.

Ai vepron sipas dëshirës së vet

me ushtrinë qiellore

e me banuesit e tokës,

pushtetit të tij kush s’mund t’i bëjë ballë

as s’mund t’i thotë: ‘Ç’po bën?’

33 Po në atë moment m’u kthyen mendtë dhe, në nder të mbretërisë sime m’u kthyen madhëria dhe shkëlqimi; këshilltarët e oborrtarët e mi më kërkuan dhe qeshë vënë në mbretërinë time dhe madhëria ime u rrit edhe më tepër. 34 Tani pra, unë, Nabukodonozori e lavdëroj, e madhëroj dhe i jap lavdi Mbretit Qiellor:

të gjitha veprat e tij janë e vërtetë,

të gjitha udhët e tij janë drejtësi,

Ai mund t’i përulë

ata që ecin me krenari!”

Danieli: 5. Gostia e Baltazarit

5

1 Mbreti Baltazar u bëri një gosti të madhe një mijë bujarëve të vet e bashkë me ta u dha të pijë verë. 2 Baltazari i dehur dha urdhër të sillen enët e arta e të argjendta, që i kishte marrë babai i tij Nabukodonozori prej Tempullit të Jerusalemit që të pinte me to mbreti, bujarët e tij, gratë dhe shemrat e tij.

3 Atëherë i sollën enët e arta që kishin qenë marrë nga Tempulli i Jerusalemit. Pinë me to mbreti, bujarët e tij, gratë e shemrat e tij: 4 pinin verë e lavdëronin zotat e vet të artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë e të gurtë.

5 Atëherë u dukën gishtat e dorës së njeriut dhe shkruan përballë pishtarit të madh në mur të pallatit të mbretit. Mbreti i shihte mirë gishtat e dorës së shkruesit. 6 Mbretit iu zverdh fytyra, mendimet e trazuan, gjymtyrët e ijëve të tij e lëshuan e gjunjët filluan t’i përplasen për njëri‑tjetrin.

7 Atëherë mbreti lëshoi një ulërimë të madhe e kërkoi të sillen magjistarë, kaldenj e dijetarë. Mbreti mori fjalën e u tha dijetarëve të Babilonisë: “Atë që do ta lexojë këtë shkrim e të mund ta shpjegojë, me purpur do ta vesh, me rreth ari do t’i rrethohet qafa dhe do të jetë i treti me pushtet në mbretërinë time.”

8 Atëherë hynë të gjithë dijetarët e mbretit, por nuk ditën ta lexojnë shkrimin as t’ia shpjegojnë mbretit. 9 Kjo bëri që mbreti Baltazar të shqetësohej edhe më tepër dhe krejtësisht u përçudnua në fytyrë. U tmerruan bashkë me të edhe të gjithë bujarët e tij.

Këshilla e mbretëreshës

10 Mbretëresha, pasi dëgjoi fjalën e mbretit e të bujarëve, hyri në sallën e gostisë. Ajo tha: “Rrofsh sa malet, o mbret! Të mos të të trazohen mendimet e tua dhe mos u zverdh në fytyrë! 11 Në mbretërinë tënde është një njeri që ka në vetvete shpirtin e zotave të shenjtë. Edhe në ditët e babait tënd në të u gjend dije, kuptim e urti në përngjasim të dijes së zotave. Këndej edhe yt atë Nabukodonozori mbret e bëri prijësin e magjistarëve, të shituesve, të kaldenjve e të dijetarëve. Yt atë, o mbret, 12 sepse u gjend në të, në Danielin, të cilin mbreti e quajti Baltazar, një shpirt i aftë jashtëzakonisht, mençuri, kuptim, shtjellim ëndrrash, zbulim fshehtësish e shpjegim gjëegjëzash. Prandaj, le të thirret Danieli e ta tregojë domethënien!”

Danieli para mbretit

13 Kështu, pra, e futën Danielin te mbreti. Mbreti i tha Danielit: “A je ti ai Danieli nga bijtë e shpërngulur të Judës, të cilin e solli im atë nga Juda? 14 Dëgjova se ti ke shpirtin e zotave dhe se është gjetur në ty një dije, kuptim e urti e madhe. 15 Tani m’i sollën këtu në praninë time të dijshmit, magjistarët për ta lexuar këtë shkrim, por nuk mundën ta lexojnë as të ma shtjellojnë vështrimin. 16 E unë dëgjova për ty se mundesh t’i shtjellosh të fshehtat e t’i zhvillosh gjëegjëzat: nëse, pra, mundesh ta lexosh shkrimin e të ma dëftosh vështrimin e tij, do të vishesh me purpur e rreth qafe do të të vë një varg të artë dhe do të jesh princi i tretë në mbretërinë time.”

17 Danieli iu përgjigj mbretit e i tha: “Dhuratat e tua lëri për vete e dhuntitë e tua jepja një tjetri. Unë shkrimin do ta lexoj, o mbret, dhe do ta dëftoj vështrimin e tij.

18 O mbret, Hyji i Tejetlartë i dha babait tënd Nabukodonozorit mbretërinë, madhërinë, lavdinë e nderin. 19 Në saje të madhërisë që ia kishte dhuruar, të gjithë popujt, fiset e gjuhët e nderonin dhe e druanin. Ata që donte i vriste, kë donte e godiste, kë donte e lartësonte e kë donte e përulte. 20 Por, kur iu rrit mendja e kur shpirti i tij u përforcua në krenari, qe hedhur nga froni i mbretërisë së vet dhe qe lënë pa farë nderimi, 21 qe dëbuar nga rrethi i njerëzve, zemra iu bë si zemër bagëtie, iu desh të banojë me gomarë të egjër, hëngri bar porsi lopët dhe trupi i tij qe lagur nga vesa e qiellit derisa ia doli ta kuptojë se Hyji i Tejetlartë ka pushtet mbi mbretërinë e njerëzve dhe e vë në kokë të saj atë që Ai do. 22 Po edhe ti, o Baltazar, biri i tij, megjithëse i dije të gjitha këto, nuk e përvujtërove mendjen tënde, 23 por e lartësove vetveten përmbi Hyjin e Qiellit, urdhërove të sillen te ti enët e Tempullit të tij dhe ti e bujarët e tu, gratë e tua e shemrat e tua, pitë verë me to, madje ju edhe i lavdëruat edhe hyjnitë e argjendta, të arta, të bronzta, të hekurta, të drunjta e të gurta që s’shohin as s’dëgjojnë as s’kanë ndjenja, kurse nuk i dhatë lavdi Hyjit që në dorën e vet e ka frymën tënde dhe të gjitha udhët e tua. 24 Ai, pra, e dërgoi këtë dorë që e shkroi këtë shkrim.

25 Dhe, ja, çka shkruan: mane, thecel, upharsin. 26 Ky është veshtrimi i fjalëve: mane ‑ Hyji e ka peshuar mbretërinë tënde dhe i dha fund; 27 thecel ‑ u peshove në peshore dhe u gjete i papeshë; 28 fares ‑ u nda mbretëria jote dhe iu dha medëve e persianëve.”

29 Atëherë Baltazari dha urdhër të vishet Danieli me purpur, t’i vihet rreth qafës vargu i artë dhe të shpallet me zëdhënës se është i treti me pushtet në mbretërinë e tij.

30 Po atë natë qe vrarë Baltazari, mbreti i kaldenjve.

Danieli: 6. Smira e satrapëve

6

1 Dariu medas e mori mbretërinë në moshën gjashtëdhjetedyvjeçe.

DANIELI NË SHPELLËN E LUANËVE

Smira e satrapëve

2 I pëlqeu Dariut të caktojë njëqind e njëzet satrapë mbi mbretërinë e vet për të gjitha krahinat e mbretërisë së vet. 3 Mbi ta caktoi tre prijës. Ndër ta njëri ishte Danieli. Këtyre satrapët duhet t’u jepnin llogari që të mos ia mërzitnin mbretit. 4 Por Danieli i tejkalonte të gjithë prijësit e satrapët në gjithçka, sepse kishte shpirtin e Hyjit të jashtëzakonshëm, kështu që mbreti mendonte ta caktonte mbi mbarë mbretërinë. 5 Atëherë prijësit dhe satrapët kërkonin të gjenin ndonjë rast kundër Danielit në lidhje me mbarështimin e zyrës shtetërore, por nuk mundën të gjejnë asnjë shkak as dyshim, sepse ishte besnik e në të s’gjendej as faj as pakujdesi . 6 Prandaj, këta njerëz thanë: “Këtij Danieli s’mund t’i gjejmë faj, veç nëse i gjejmë ndonjë gjë kundër tij në lidhje me besimin e Hyjit të tij.”

7 Atëherë prijësit e satrapët u bashkuan te mbreti e i thanë kështu: “Rrofsh sa malet, o mbreti Dari! 8 Të gjithë prijësit e mbretërisë, paria, satrapët, bujarët e gjyqëtarët janë të mendimit që të shpallet një urdhëresë e fortë e mbretit, kështu që kushdo të bëjë ndonjë lutje brenda tridhjetë ditëve ndonjë zoti ose njeriu, përjashta teje, o mbret, të flaket në shpellën e luanëve. 9 Prandaj, o mbret, forcoje vendimin e nënshkruaje urdhëresën që të mos mund të shndërrohet sipas ligjeve të medëve e të persianëve që nuk mund të ndryshohen.”

10 Kështu mbreti Dari e nënshkroi urdhëresën e ndalimit.

Lutja e Danielit

11 Si e mori vesh Danieli se urdhëresa ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet e, me dritare të hapura në dhomën e vet që shikonin drejt Jerusalemit, në tri kohët e ditës binte në gjunjë, e adhuronte falënderonte Hyjin e vet, ashtu siç e kishte pasur zakon të vepronte edhe më parë.

12 Atëherë këta njerëz shkuan dhe e gjetën Danielin duke iu lutur e duke iu përlutur Hyjit të vet. 13 U çuan e shkuan dhe i thanë mbretit lidhur me urdhëresën: “O mbret, a nuk e nënshkrove ti urdhëresën se çdo njeri që t’i lutet brenda tridhjetë ditëve ndonjë hyji ose njeriu përjashta teje, o mbret, do të hidhet në shpellën e luanëve?” Mbreti u përgjigj: “Po, është e vërtetë! E urdhëresa sipas ligjit të medëve e të persianëve, është e pashndërrueshme!” 14 Atëherë ata thanë para mbretit: “Danieli, ai i shpërnguluri nga Juda, nuk shqetësohet për ty, o mbret, as për urdhëresën që ti e dhe, por çdo ditë në tri kohët e ditës, i bën lutjet e veta.”

15 Kur mbreti e dëgjoi këtë fjalë, u prish fort, në zemrën e vet mendoi ta shpëtojë. Deri në perëndimin e diellit u mundua ta shpëtojë. 16 Por ata njerëz u bashkuan përsëri te mbreti e i thanë: “Mos harro, o mbret, se sipas ligjit të medëve e të persianëve, asnjë ndalesë ose urdhëresë e mbretit që ai e vendosi, s’ka leje të mos zbatohet!”

Danieli i hedhur luanëve

17 Atëherë mbreti dha urdhër të merret Danieli e të hidhet në shpellën e luanëve. Mbreti i tha Danielit: “Hyji yt, që ti e nderon gjithmonë, ai të shpëtoftë!” 18 Sollën një gur dhe e vunë në grykën e shpellës. Mbreti e vulosi me unazën e vet dhe me vulën e bujarëve të vet, që asgjë të mos mund të ndryshohej lidhur me Danielin. 19 Mbreti u kthye në pallatin e vet. Natën e kaloi pa ngrënë dhe as nuk i sollën ushqime. Për më tepër edhe gjumi i treti.

20 Të nesërmen në mëngjes, mbreti mëkoi herët fort dhe me nxitim shkoi te shpella e luanëve. 21 Si iu afrua shpellës, me një zë të përvajshëm e thirri Danielin e i tha: “O Daniel, shërbëtori i Hyjit të gjallë, Hyji yt, të cilit ti i shërben gjithmonë, vallë a do të ketë mundur të të shpëtojë prej luanëve?” 22 Danieli iu përgjigj mbretit e i tha: “Rrofsh sa malet, o mbret! 23 Hyji im dërgoi engjëllin e vet e ua mbylli gojët luanëve. Nuk ma bënë asnjë të keqe, sepse u gjend para Tij se jam i drejtë. Por as para teje, o mbret, nuk bëra asnjë faj.”

24 Mbreti mbeti tejet i kënaqur për këtë gjë dhe urdhëroi të nxirret Danieli nga shpella. Danieli qe nxjerrë nga shpella e në të nuk u gjet asnjë lëndim, sepse i besoi Hyjit të vet. 25 Mbreti atëherë urdhëroi dhe u sollën ata njerëz që e kishin paditur Danielin, dhe qenë hedhur në shpellën e luanëve ata, bijtë e tyre e gratë e tyre e as nuk arritën deri në truallin e shpellës pa i pasë pushtuar luanët dhe ua coptuan të gjithë eshtrat e tyre.

Dëshmimi i besimit dhënë prej mbretit

26 Atëherë mbreti Dari u shkroi të gjithë popujve, fiseve e gjuhëve që banojnë mbi mbarë tokën: “Paçi paqe me mbushullim! 27 Kam dhënë urdhër që në mbarë mbretërinë time, ku unë sundoj, le të dridhen e le ta druajnë Hyjin e Danielit:

sepse Ai është Hyji i gjallë,

ai është i amshueshëm!

Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim,

sundimi i tij deri në amshim!

28 Ai është çlirues e shëlbues,

që bën shenja e mrekulli

në qiell e mbi tokë!

Ai e shpëtoi Danielin

prej çaponjve të luanëve.”

29 Danieli përparoi në gjithçka gjatë sundimit të Dariut e të sundimit të Cirit persian.

Danieli: 7. Vegimi i egërsirave

7

1 Në vitin e parë të Baltazarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr e disa vegime i silleshin nëpër mend në shtrojën e tij. Ai edhe e shkroi ëndrrën.

Fillimi i fjalëve që tha:

2 Danieli tha: “Shikoja në vegimin tim natën dhe, ja, katër erërat e qiellit e çonin peshë Detin e Madh; 3 katër egërsira të stërmëdha dolën nga deti: ishin të ndryshme nga njëra‑tjetra.

4 E para ishte porsi luaneshë e kishte krahë shqiponje. Ndërsa unë po e shikoja, iu shkulën krahët, u ngrit nga toka e u ndreq në këmbë porsi njeriu dhe i qe dhënë zemra e njeriut. 5 Dhe ja, një tjetër egërsirë, e dyta, e ngjashme me ariun, pjesërisht e ndrequr. Në gojë i kishte tri brinjë: i mbante me dhëmbë. Kështu i qe thënë: “Ngrihu e ha shumë mish!”

6 Pastaj shikoja, dhe ja, një tjetër egërsirë, porsi leopardi. Mbi vete kishte katër krahë shpendi. Egërsira kishte edhe katër kokë dhe i qe dhënë pushteti.

7 Pas kësaj po shikoja në vegimin e natës dhe, ja, egërsira e katërt e tmerrshme, e çuditshme dhe tejet e fuqishme. Dhëmbët i kishte të hekurt, të mëdhenj: hante e copëtonte dhe tepricën e shkelte me këmbë. Ishte krejtësisht e ndryshme nga egërsirat e tjera që i kisha parë më parë, dhe kishte dhjetë brirë. 8 Unë po i vrojtoja këta brirë, dhe ja, mbiu një tjetër bri i vogël mes tyre dhe tre nga brirët e mëparshëm u shkulën para tij. Pashë se ai bri kishte sy si sy njeriu. Kishte edhe gojën me të cilën fliste fjalë të mëdha.

Vegimi i të Tejetlashtit dhe i Birit të njeriut

9 Vrojtoja

dhe ja, u shtruan fronet

dhe i Tejetlashti ndenj.

Petku i tij i bardhë porsi bora,

flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër;

froni i tij porsi flaka e zjarrit,

rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!

10 Lumë i zjarrtë rridhte

e dilte përpara tij,

mijëra mijërash i shërbenin

e miliarda miliardash qëndronin përpara tij:

po bëhej gjyqi,

u hapën librat!

11 Ende më jehonin në veshë fjalët e mëdha që fliste briri, dhe ja, egërsira qe prerë, e copëtuan trupin e saj dhe e hodhën për ta djegur në zjarr. 12 Egërsirave të tjera u qe marrë pushteti, por u qe lejuar ta zgjasin jetën edhe për një kohë të caktuar.

13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës:

dhe ja, në retë e qiellit,

po vinte dikush si Biri i njeriut!

Arriti deri tek i Tejetlashti i motit

dhe qe paraqitur para tij.

14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë.

Të gjithë popujt, fiset e gjuhët

u shtruan nën shërbimin e tij:

pushteti i tij pushtet i amshuar

që kurrë s’do të merret,

mbretëria e tij

kurrë nuk do të prishet.

Shtjellimi i vegimit

15 Tmerri ma mbuloi shpirtin. Mua Danielin më tmerruan këto gjëra. Vegimet që më vlonin në mend më morën mendsh. 16 Iu afrova njërit prej atyre që ishin aty e kërkova të ma thotë të vërtetën lidhur me të gjitha këto. Ai m’u përgjigj e ma dha shpjegimin e këtyre gjërave: 17 “Këto katër egërsira të mëdha, janë katër mbretër që do të ngriten mbi tokë; 18 do ta marrin veç prej tyre mbretërinë dhe do ta mbajnë për shekuj të shekujve shenjtërit e Hyjit të Tejetlartë.”

19 Pastaj kërkova të mësoj të vërtetën lidhur me egërsirën e katërt, që ishte shumë e ndryshme nga të gjitha këto të tjerat, tepër e tmerrshme, dhëmbët i kishte të hekurt e thonjtë të bronztë, hante, copëtonte e tepricat i shkelmonte, 20 nga dhjetë brirët që i kishte në kokë dhe për tjetrin që posa i lindi i ranë tre të tjerë, për atë bri që kishte sy e gojë, me të cilën fliste fjalë të mëdha dhe që ishte më e madhe se të tjerat. 21 Unë po e shikoja dhe, ja, ai bri bënte luftë kundër shenjtërve dhe i mundte, 22 derisa arriti i Tejetlashti i motit dhe u dha të drejtën Shenjtërve të të Tejetlartit. Erdhi koha dhe Shenjtërit e fituan mbretërinë. 23 Ai tha kështu:

“Egërsira e katërt

do të jetë e katërta mbretëri mbi tokë

më e madhe do të jetë se mbretëritë e tjera,

do ta përpijë botën mbarë,

do ta shkelmojë e do ta grimcojë.

24 Kurse dhjetë brirët:

nga kjo mbretëri

dhjetë mbretëri do të bëhen,

por pas tyre një tjetër do të ngrihet.

Ky do të jetë më i fuqishëm se të parët,

tre mbretër do t’i mposhtë,

25 blasfemi do të flasë kundër të Tejetlartit,

do t’i ndrydhë Shenjtërit e të Tejetlartit,

do të kujtojë se mund t’i ndërrojë

kohët e Ligjin,

e Shenjtërit do të bien në dorë të tij

për një kohë, disa kohë e gjysmë kohe.

26 Atëherë do të mbahet gjyqi,

do t’i merret pushteti,

do të shpartallohet e do të zhduket për jetë!

27 Mbretëri e pushtet e madhëria e mbretërive

do t’i jepen popullit

të Shenjtërve të të Tejetlartit,

mbretëria e të cilit

është mbretëri e amshueshme

dhe të gjithë mbretërit atij do t’i shërbejnë,

atë do të dëgjojnë. ’“

28 Këtu merr fund tregimi.

Unë, Danieli, mbeta shumë i turbulluar në mendimet e mia, fytyra m’u zverdh, por këto gjëra i ruajta në zemrën time.

Danieli: 8. Luftimi i dashit e i cjapit

8

1 Të tretin vit të mbretërimit të mbretit Baltazar, unë Danieli, pata një vegim, pas atij që më ishte dukur më parë. 2 Unë po shikoja vegimin e, ndërsa po shikoja, më dukej se isha në kështjellën Suzë, që është në krahinën Elam; por në vegim pashë se isha në brigjet e lumit Ulaj. 3 I ngrita sytë e mi e shikova, dhe ja, një dash po qëndronte përbri lumit. Kishte dy brirë: brirët i kishte të mëdhenj, por njëri ishte më i lartë se tjetri e më i larti ishte rritur më vonë. 4 Pashë se dashi me brirë gjuante në perëndim, në veri e në mesditë. Asnjë kafshë nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë, gjë e gjallë s’mund t’i shpëtonte. Bënte si donte vetë e u bë i madhërueshëm.

5 Unë po vëreja: dhe ja, nga perëndimi po ia beh një cjap përmbi sipërfaqen e tokës e këmbët nuk ia preknin tokën! Cjapi kishte ndërmjet syve një bri “të mrekullueshëm”. 6 Ia behu te dashi me brirë që e pashë se po qëndronte në breg të lumit dhe, me gjithë fuqinë që kishte, u sul kundër tij. 7 Pasi iu afrua dashit, pashë se u sul me tërbim kundër tij, i ra dashit e ia theu të dy brirët e dashi s’mundi t’i qëndrojë. Pasi e hodhi përtokë, e shkelmoi dhe askush s’mundi ta shpëtojë dashin prej tij.

8 Cjapi atëherë erdhi e u bë shumë i madh. Kur u bë i madh, iu thye briri i madh e, në vend të tij, lindën katër brirë në drejtim të katër erërave të qiellit.

9 Nga njëri prej tyre doli një bri i vogël, por u bë i madh në drejtim të mesditës, të lindjes e të vendit të fuqishëm. 10 U bë i madh deri në fuqitë qiellore, i flaku përtokë disa nga fuqitë qiellore e yjet dhe i shkelmoi. 11 U lartësua deri në Prijësin e Ushtrisë, ia mori flinë e përditshme dhe ia rrënoi Vendin e shenjtë. 12 Për shkak të mëkateve ushtria u ngrit kundër flisë së përditshme, përtokë u zhgërrye e vërteta: briri përparoi në gjithçka që ndërmori.

13 Dëgjova një shenjt duke folur dhe një shenjt i tha një tjetri, s’di se kujt, atij që po fliste: “Deri kur do të vazhdojë kjo pamje: flia e përditshme e ndaluar, mëkati shkatërrues që po bëhet, Shenjtërorja dhe vendi i fuqishëm që po shkelmohet me këmbë?” 14 Ai iu përgjigj: “Edhe dy mijë e treqind mbrëmje e mëngjese e Shenjtërorja do të pastrohet.”

Engjëlli Gabriel shtjellon vegimin

15 Ndërsa unë, Danieli, kisha këtë vegim dhe mundohesha që ta kuptoja, ja, para meje qëndroi dikush si njeri. 16 Dëgjova zërin e një burri që prej Ulajt thërriste e thoshte: “Gabriel, shtjelloja këtij vegimin!” 17 Ai erdhi ku isha unë. Kur arriti, nga tmerri, rashë me fytyrë përdhe. Ai më tha: “Biri i njeriut, merre vesh mirë, ky vegim është për kohën e fundit!” 18 Ndërkohë që ai po fliste, unë rashë me fytyrë përdhe, por ai më preku e më çoi në këmbë. 19 Atëherë më tha: “Ja, unë po të zbuloj çka do të ndodhë në mbarim të mallkimit, sepse mbarimi e ka kohën e caktuar.

20 Dashi që e pe se ka dy brirë: janë mbretërit e medëve e të persianëve, 21 kurse cjapi është mbreti i grekëve. Briri i madh, që e kishte ndërmjet syve, është mbreti i parë. 22 Çka pe se u thye briri e në vend të tij dolën katër të tjerë: janë katër mbretëritë që do të dalin prej popullit të tij, por s’do ta kenë fuqinë e tij. 23 Pas mbretërisë së tyre, kur t’i ketë mbuluar paudhësia, do të ngrihet një mbret i pafytyrë e dinak. 24 Fuqia e tij do të rritet, por jo prej fuqisë së vet. Do të shkaktojë rrënime sa s’mund të besohen, do t’i shkojnë punët për së mbari, do t’i vrasë të fortët edhe popullin e shenjtë. 25 Në saje të dinakërisë së tij, dredhia do të përparojë në duart e tij, do të krenohet në zemrën e vet dhe me dredhi do të bëjë të vriten me shumicë. Do të çohet edhe kundër princit të princave, do të zhduket pa i vënë kush dorë! 26 I vërtetë është vegimi i mbrëmjeve e i mëngjeseve, për të cilin u fol, por t’i vulose vegimin, sepse do të vërtetohet pas shumë ditëve.”

27 Unë, Danieli, u meka dhe për disa ditë mbeta i sëmurë. Pastaj u çova e vijova të kryej punët që m’i kishte ngarkuar mbreti. Vegimi më kishte lënë të habitur, sepse s’ishte kush në gjendje që ta kuptonte.

Danieli: 9. Lutja e Danielit

9

1 Vitin e parë të Dariut, birit të Asuerit, prej farës së medëve, i cili sundoi mbi mbretërinë e kaldenjve, 2 vitin e parë të sundimit të tij, unë, Danieli, po i shqyrtoja Shkrimet mbi numrin e vjetëve ‑ të cilët i ishin zbuluar prej Hyjit profetit Jeremi ‑ që duhej të plotësoheshin për rrënimet e Jerusalemit: shtatëdhjetë vjet. 3 E solla fytyrën time drejt Zotit Hyjit tim, iu luta e iu përluta me agjërim, me grathore e në pluhur. 4 Unë iu luta Zotit Hyj, dëshmova e thashë:

“Po të lutem, o Zot, Hyj i madhërishëm e i tmerrshëm, ti që e mban Besëlidhjen dhe mëshirën ndaj atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua. 5 Ne mëkatuam, bëmë keq, vepruam paudhësisht, kundërshtuam, i lamë urdhërimet e rregulloret e tua. 6 Nuk i dëgjuam shërbëtorët e tu profetët, të cilët, në emër tënd, u folën mbretërve tanë, prijësve tanë, etërve tanë e mbarë popullit të vendit. 7 Ty, o Zot, të përket drejtësia, kurse neve turpi në fytyrë, siç u ndodhi edhe sot njerëzve të Judës, banorëve të Jerusalemit, e mbarë Izraelit, këtyre që janë afër e atyre që janë larg anembanë tokës, ku i trete për shkak të paudhësisë së tyre, me të cilën mëkatuam kundër teje. 8 O Zot, neve na takon turpi në fytyrë, mbretërve tanë, prijësve tanë e etërve tanë, sepse mëkatuam kundër teje; 9 kurse Zotit, Hyjit tonë, i takon mëshira e falja, sepse ne u larguam prej teje. 10 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, për të ecur ligjit të tij që na e dha nëpërmjet shërbëtorëve të vet, profetëve. 11 Të gjithë izraelitët e shkelën Ligjin tënd dhe u larguan për të mos e dëgjuar zërin tënd. Kështu u resh mbi ne mallkimi e nëma që është e shkruar në Librin e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit, sepse mëkatuam kundër tij. 12 Ai i vuri në veprim fjalët që i ka folur kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë, të cilët na gjykuan: zbrazi mbi ne një fatkeqësi të madhe, sa që një gjë e tillë kurrë nuk kishte ngjarë nën qiell, siç i erdhi Jerusalemit. 13 Pikërisht ashtu siç është e shkruar në Ligjin e Moisiut, krejt ajo fatkeqësi erdhi mbi ne e ne nuk e lutëm Zotin, Hyjin tonë, nuk u kthyem nga paudhësitë tona për ta pranuar të vërtetën tënde. 14 Zoti ndenji zgjuar mbi këtë fatkeqësi dhe e çoi mbi ne, sepse Zoti, Hyji ynë, është i drejtë në të gjitha veprat e veta që i bëri: në të vërtetë ne nuk e dëgjuam zërin e tij.

15 E tani, o Zot, Hyji ynë, ti, që me dorën tënde të fuqishme e nxore popullin tënd prej tokës së Egjiptit ‑ e fitove zë të madh që qëndron deri në ditën e sotme ‑ ne kemi mëkatuar, ne e bëmë të keqen, 16 o Zot, kundër çdo drejtësie sate, por po të lutem, largoje zemërimin tënd e furinë tënde prej qytetit tënd Jerusalemit e prej Malit tënd të Shenjtë: sepse për shkak të mëkateve tona e të paudhësive të etërve tanë Jerusalemi dhe populli yt janë bërë turpi i të gjithë atyre që na rrinë përreth. 17 E tani, o Hyji ynë, dëgjoje lutjen e shërbëtorit tënd dhe përlutjet e tij, dëftoje fytyrën tënde mbi Shenjtëroren tënde të mbetur shkretë, pashë dashurinë tënde! 18 Prire, o Hyji im, veshin tënd e dëgjo! Hapi sytë e tu e shihe mjerimin tonë e Qytetin që thirret me emrin tënd. Jo, nuk i paraqesim lutjet tona në fuqi të veprave tona të drejta, por në fuqi të mëshirave të tua të shumta.

19 Na dëgjo, o Zot! Na fal, o Zot, na vështro e vepro! Mos vono pashë jetën tënde, o Hyji im, sepse emrin tënd mban Qyteti yt e populli yt!”

Engjëlli shtjellon profecinë

20 Derisa ende po flisja, po lutesha e po rrëfeja mëkatet e mia e mëkatet e popullit tim, Izraelit, dhe po i shtrija përlutjet e mia para Hyjit tim për Malin e Shenjtë të Hyjit tim, 21 ndërkohë që ende po thoja lutjen, dhe ja, Gabrieli, që e kisha parë më parë në vegim, duke fluturuar me nxitim më preku në kohën e flisë mbrëmësore, 22 më mësoi, foli me mua e më tha: “O Daniel, erdha për të të mësuar e për të të bërë të kuptosh. 23 Që në fillim të lutjes sate ka dalë fjala dhe unë qeshë dërguar ta mësoj, sepse ti je tejet i dashur. Tani rri gati fjalës e merre vesh vegimin:

24 Shtatëdhjetë të shtunat janë të caktuara

mbi popullin tënd e mbi Qytetin tënd të shenjtë

për t’i dhënë fund paudhësisë,

për të marrë fund mëkati,

për t’u zhdukur fajësia,

për t’u sjellë drejtësia e përhershme,

për të shkuar në vend vegimi e profeti,

për t’u shuguruar Shenjti i shenjtërve.

25 Dije, pra, dhe merre mirë vesh:

Që kur të dalë fjala

që përsëri të ndërtohet Jerusalemi

e derisa të vijë i Shuguruari Prijës,

janë shtatë javë.

Gjatë shtatëdhjetë javëve pastaj

përsëri do të rindërtohet sheshi dhe muret,

por në kohë të vështira.

26 Pastaj pas shtatëdhjetë e dy javëve

do të vritet i Shuguruari,

por jo për vete.

Qytetin dhe Shenjtëroren do ta shkatërrojë

populli i prijësit të ardhshëm.

Mbarimi i tyre është në shkatërrim

e deri në mbarim do të ketë luftë

e shkatërrime të caktuara.

27 Ai do të lidhë një Besëlidhje të fortë me shumë palë

për një javë të vetme;

në gjysmën e javës

do të pushojë fli e kusht,

përmbi krahun e Tempullit

do të jetë Ndyrësia e shkatërrimit

deri në mbarim,

deri në caktimin e mbarimit

që do të bjerë mbi shkatërruesin.”

Danieli: 10. Vegimi i njeriut të veshur me petk liri

10

1 Në vitin e tretë të Cirit, mbretit të persianëve, Danielit të mbiquajtur Baltazar, i qe zbuluar një fjalë: fjalë e vërtetë, luftë e madhe. Ai e mori vesh fjalën, kuptimi i qe dhënë në vegim.

2 Ndër ato ditë, unë, Danieli po bëja një agjërim tri javësh: 3 nuk hëngra ushqime të shijshme, mish as verë nuk shtieva në gojën time, por as me erëra të mira nuk u lyeva derisa morën fund këto tri javë ditë.

4 Të njëzetekatërtën ditë të muajit të parë, ndodhesha në brigjet e lumit të madh, Tigrit. 5 I çova sytë për të shikuar, dhe ja, pashë një njeri të veshur me petka të linjta, të ngjeshur ijësh me brez prej ari të Ofirit. 6 Trupi i tij i përngjante krizolitit, fytyra e tij porsi rrufeja e sytë e tij porsi vravashka e ndezur flakë, krahët e këmbët e tij porsi dukja e bronzit të skuqur e zëri i të folurit të tij porsi zëri i shumicës.

7 Vetëm unë Danieli e vrojtoja këtë vegim. Njerëzit që ndodheshin me mua, nuk e panë këtë vegim, por i pushtoi një tmerr i madh dhe ikën për t’u fshehur. 8 Unë mbeta vetëm dhe po e vrojtoja këtë pamje të madhërueshme. Pikë fuqie s’më mbeti, deri edhe fytyra m’u zbeh, u shemtova e mbeta pa fuqi fare.

Dukja e engjëllit

9 E dëgjova zërin e fjalëve të tij. Duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij u paka e rashë me fytyrë përdhe: fytyra m’u ngjesh përdhe. 10 Dhe ja, një dorë më preku e më ndreqi në gjunjë e mbi shuplakat e duarve të mia. 11 Atëherë më tha: “Daniel, njeri tejet i dashur, vëru vesh fjalëve që do t’i them! Çohu në këmbë të tua, sepse, ja, jam i dërguar te ti.” Kur m’i tha këto fjalë, u çova në këmbë e dridhesha. 12 Ai vazhdoi e më tha: “Daniel, mos u tremb, sepse që prej ditës së parë kur bëre çmos që të kuptosh duke e përvujtëruar vetveten para Hyjit tënd, u vështruan fjalët e tua dhe unë erdha në saje të fjalëve të tua. 13 Princi i mbretërisë persiane më kundërshtoi njëzet e një ditë; por, ja, më erdhi në ndihmë Mikaeli, njëri nga prijësit e parë; unë mbeta aty pranë mbretit të persianëve. 14 Por erdha të të mësoj çfarë do t’i ndodhë popullit tënd në ditët e fundit, sepse është edhe një vegim për ato ditë.”

Engjëlli i jep guxim Danielit

15 Ndërsa po m’i fliste këto fjalë, rashë me fytyrë përdhe e heshta. 16 Dhe, ja, dikush me fytyrë si njeri, i preku buzët e mia. Unë nisa të flas e i thashë atij që më qëndronte përballë: “Imzot, ky vegim po më zë ngushtë e fije trimërie nuk më mbeti. 17 E si atëherë do të mund të bisedojë një shërbëtor i Imzotit sikurse unë, me Zotërinë tim? Në mua s’ka mbetur asnjë shkëndijë trimërie dhe mbeta pa frymë.” 18 Atëherë përsëri ai që dukej si njeri më preku e ma përtëriu fuqinë. 19 Më tha: “Mos u tremb, njeri tejet i dashur! Paqja me ty! Merr fuqi! Ji i fortë!” Ndërsa po fliste me mua, mora zemër e thashë: “Fol, Imzot, sepse më trimërove!”

Lajmërimi profetik

20 Tha: “A e di pse kam ardhur te ti? Tani do të kthehem për të luftuar me princin e Persisë. Posa të kem kryer, do të vijë princi i Greqisë. 21 Përnjëmend do të të lajmëroj çfarë shkruan në Librin e së vërtetës. Askush nuk më ndihmon kundër këtyre përveç Mikaelit, princit tuaj.

Danieli: 11. Leka i Madh

11

1 Vetë që prej vitit të parë të Dariut Medas qëndroja pranë tij që të përtëritej e të forcohej. 2 Tani ty do të ta tregoj të vërtetën:

“Ja, edhe tre mbretër do të ngriten për Persinë: i katërti do pasurohet më tepër se të gjithë dhe, kur të bëhet i dhunshëm për shkak të pasurisë së vet, do të çojë gur e peshë kundër mbretërisë greke.

Leka i Madh

3 Pastaj do të ngallitë një mbret i fuqishëm e trim, i cili do të zotërojë mbi një perandori të madhe dhe do të bëjë çfarë t’i pëlqejë. 4 E kur t’ia ketë dalë në majë, mbretëria e tij do të shkatërrohet e do të ndahet në katër erërat e qiellit, por jo ndërmjet pasardhësve të tij as me të njëjtën fuqi që e kishte ai: me të cilën sundoi. Mbretëria e tij do të copëtohet edhe do t’u jepet të tjerëve, e jo këtyre.

Luftërat e para ndërmjet seleucidëve e lagidëve

5 Mbret, i Mesditës do të bëhet i fuqishëm e njëri prej princave të tij do t’ia marrë krepçinë e perandoria e tij do të bëhet më e fortë se e tij. 6 Disa vjet më vonë do të bëjnë besëlidhje: bija e mbretit të Mesditës do të shkojë te mbreti i Veriut për të lidhur miqësi, por nuk do të mund ta ndalojë fuqinë e krahut dhe ajo s’do t’i bëjë ballë; do të dorëzohet ajo, ata që e sollën, djali i saj dhe ai e ndihmonte atë në ato kohë.

7 Nga pinjollat e rrënjëve të saj do të ngallitë njëri, në vend të saj, do të vijë një ushtri, do të depërtojë në fortesat e mbretit të Veriut, do t’i sulmojë e do t’i pushtojë. 8 Deri edhe hyjnitë e tij, truporet e tyre, enët e çmueshme argjendi e ari do të bëhen pre që do t’i çojë në Egjipt: Ai do të ngadhënjejë për disa kohë mbi mbretin e Veriut.

9 Ai do të sulet kundër mbretit të Mesditës, por do të kthehet në vendin e vet. 10 Bijtë e tij do të bashkohen dhe do të mbledhin një ushtri tejet të madhe. Njëri prej tyre do të sulet me tërbim, do ta vërshojë, do të kthehet, do të ngritet përsëri e do të arrijë deri në fortesë. 11 Mbreti i Mesditës, i zemëruar, do të dalë për të luftuar kundër tij, kundër mbretit të Veriut. Ky do të bëjë gati një ushtri të madhe, por kjo do të bjerë në dorën e mbretit të Mesditës. 12 Ushtria do të pësojë humbje të mëdha e ai do të krenohet për këtë gjë. Do të vrasë shumë mijëra, por nuk do të ngadhënjejë. 13 Sepse mbreti i Veriut do të kthehet e do ta bëjë gati një ushtri edhe më të madhe se të parën e në kohën e caktuar pas disa vjetësh, do të sulet me një ushtri të madhe e të përgatitur mirë. 14 Në atë kohë shumë do të ngriten kundër mbretit të Mesditës; do të ngriten edhe të dhunshmit e popullit tënd për ta çuar në vend vegimin, por do të birren.

15 Do të vijë mbreti i Veriut, do të hapë llogore dhe do të pushtojë një qytet tejet të fortifikuar. Krahët e Mesditës nuk do të mund të bëjnë ballë dhe ushtria e zgjedhur e tij nuk do të ketë fuqi të qëndrojë. 16 Pushtuesi do të bëjë çka të dojë dhe askush s’do të mund t’i dalë përballë. Do të ngulë në atë vend të mrekullueshëm e rrënimi do të jetë në duart e tij. 17 Do t’ia vërë syrin ta pushtojë mbarë mbretërinë e Mesditës, do të lidhë me të marrëveshje, vajzën do t’ia japë për ta shkatërruar, por kjo s’do të ketë sukses e s’do t’ia arrijë qëllimit. 18 Atëherë do t’u sillet ishujve dhe shumicën do t’i pushtojë, por një princ do t’i japë fund këtij turpi dhe marrja do të kthehet e do të bjerë mbi të. 19 Atëherë do të kthehet drejt qyteteve të vendit të vet, por do të marrë në thua e do të rrëzohet e do të zhduket. 20 Në vend të tij do të vijë një tjetër që do ta dërgojë tatimtarin e vet në Stolinë e mbretërisë, por në pak ditë do të vritet pa zemërim e pa luftë.

Antioku Epifan

21 Në vend të tij do të vijë një i poshtër, të cilit nuk do t’i jepet nderi mbretëror. Do të vijë fshehtas e me dredhi do ta marrë mbretërinë. 22 Fuqitë e armatosura do të asgjësohen përpara tij dhe do të sharrojë edhe Princi i Besëlidhjes. 23 Me gjithë marrëveshjen me të, tradhtisht do të sulmojë dhe do të ngadhënjejë me pak popull. 24 Në kohën e qetësisë do të shpërthejë në krahina të pasura e do të bëjë çfarë nuk bënë baballarët e tij as baballarët e baballarëve të tij: rrëmbime, grabitje; do t’i shpërndajë pasuritë e tyre, do të sendërtojë synime kundër qyteteve të fortifikuara, por vetëm për një kohë.

25 Fuqia e tij dhe mendja e tij do të nxitet të çojë një ushtri të madhe kundër mbretit të Mesditës. Mbreti i Mesditës do të niset në luftë me forca të mëdha ushtarake, por nuk do të qëndrojë, sepse do të shtiejnë fitma kundër tij. 26 Do ta vrasin pikërisht ata që do të hanë në tryezën e tij bashkë me të; ushtria e tij do të shkatërrohet e shumë do të mbesin të vrarë.

27 Qëllimi i të dy mbretërve do të jetë t’i bëjnë keq njëri‑tjetrit, do të rrinë në të njëjtën tavolinë e do të bisedojnë me zhibla duke e rrejtur njëri‑tjetrin, por s’do të fitojnë gjë, sepse do t’i presë sosja në kohën e caktuar. 28 Ai do të kthehet në tokën e vet me pasuri të madhe, me zemër kundër Besëlidhjes së shenjtë; do të veprojë sipas synimeve të veta e do të kthehet në vendin e vet.

29 Në kohën e caktuar do të kthehet në tokën e Mesditës, por kjo ndërmarrje e fundit nuk do të dalë si e para. 30 Kundër tij do të vijnë anijet me tre rrema, romakët; do ta sulmojnë e do të marrë arratinë. Do të kthehet duke u tërbuar kundër Besëlidhjes së shenjtë dhe përsëri do të merret vesh me ata që e shkelën Besëlidhjen e shenjtë.

Përndjekja e hebrenjve

31 Fuqi ushtarake të armatosura prej tij do të shkojnë ta dhunojnë shenjtëroren ‑ fortesë; do ta ndalojnë flinë e përditshme dhe do ta vendosin turpin e shkatërrimit. 32 Me dredhi do t’i joshë ata që e kanë thyer Besëlidhjen, kurse populli që e njeh Hyjin do të qëndrojë e do të veprojë. 33 Mësuesit e popullit do ta mësojnë shumicën, por për disa ditë do të sharrojnë prej shpatës, prej zjarrit, në mërgim e në pre. 34 Kur të sharrojnë kështu, pak kush do t’u vijë në ndihmë dhe shumëkush do t’u afrohet me dredhi. 35 Do të ketë edhe ndër të urtë prej atyre që do të rrëzohen që të sprovohen, të pastrohen e të zbardhen ‑ deri në kohën e caktuar, sepse do të vijë koha e caktuar. 36 Mbreti do të veprojë sipas dëshirës së vet. Do të ngritet, do të madhërohet përmbi çdo zot. Edhe kundër Hyjit të hyjnive do të flasë gjëra të padëgjuara e do të ketë sukses derisa të mbushet zemërimi: sepse çka ka qenë caktuar, patjetër do të shkojë në vend. 37 S’do t’i marrë parasysh as zotat e etërve të vet, as të Lakmueshmin e grave, as cilindo prej zotave, sepse do ta vërë veten mbi gjithçka. 38 Në vend të tyre do të nderojë hyjin e fortesave, hyjin që nuk e njohën etërit e tij. Do ta nderojë me ar, argjend, gur të paçmueshëm e me gjëra të çmueshme. 39 Në emër të kësaj hyjnie të huaj do t’i sulmojë qytetet e fortifikuara. Atë që do ta pranojë, do ta mbulojë me nder, do t’u japë pushtet mbi shumicën dhe do t’u ndajë toka si shpërblim.

KOHA E FUNDIT

Mbarimi i salvuesit

40 Në kohën e Mbarimit mbreti i Mesditës do të luftojë kundër tij dhe porsi stuhia do të vijë kundër tij mbreti i Veriut me karroca lufte, me kalorës e me anije të mëdha; do të hyjë nëpër vende, do të ndrydhë e do të kalojë. 41 Do të hyjë edhe në Vendin e lavdishëm. Shumë vende do të bien. Vetëm këto vende do të shpëtojnë nga dora e tij: Edomi, Moabi dhe kryesia e bijve të Amonit.

42 Do ta shtrijë dorën e vet mbi vende dhe as toka e Egjiptit nuk do t’i shpëtojë. 43 Do t’i pushtojë visaret e arit, të argjendit e të gjitha gjërat e çmueshme të Egjiptit; gjurmëve të tij do të kalojnë edhe libianët e etiopianët. 44 Por do ta turbullojnë lajmet nga Lindja e nga Veriu dhe do të niset me zemërim të madh për të zhdukur e për të vrarë shumë. 45 Tendat e pallatit të vet do t’i ngrehë ndërmjet detit dhe Malit të Shenjtë të Stolisë. Edhe atij do t’i vijë fundi dhe askush s’do ta ndihmojë.

Danieli: 12. Ngjallja dhe shpërblimi

12

1 Në atë kohë do të ngritet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe që kur filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.

2 Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. 3 Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumë njerëzve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.

Profecia e vulosur

4 Ti, o Daniel, ndryji këto fjalë e vulose librin deri në kohën e Mbarimit! Do të enden shumë e dija do të jetë e shumëfishtë.”

5 Unë Danieli po shikoja, dhe ja, dy të tjerë po qëndronin në këmbë: njëri këndej, mbi bregun e lumit, tjetri andej, në anën tjetër, në bregun e lumit. 6 Njëri i tha njeriut të veshur me petka të linjta e qëndronte përmbi ujin e lumit: “Kur do të marrin fund këto gjëra të mrekullueshme?” 7 E dëgjova njeriun që ishte i veshur me të linjta e që qëndronte përmbi ujët e lumit, i cili, lartësuar dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u përbetua me Atë që jeton përgjithmonë: “Pas një kohe, kohëve e pas gjysmë kohe ‑ kur të vijë mbarimi i shpartallimit të fuqisë së popullit të shenjtë ‑ do të përmbushen të gjitha këto.”

8 Unë e dëgjova, por gjë s’mora vesh e thashë: “Imzot, si do të marrin fund këto?” 9 Tha: “Shko, Daniel! Këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e Mbarimit. 10 Shumë do të pastrohen, do të zbardhohen e do të vihen në provë. Të paudhët do të bëjnë paudhësi; të paudhët gjë nuk do të kuptojnë. Dijetarët do të marrin vesh. 11 Prej kohës kur do të këputet flia e përditshme e dot’i vihet turpi shkatërruesit: do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë. 12 I lumi ai që pret e arrin deri në një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë! 13 Ti shko deri në Mbarim. Pusho. Do të ngrihesh ta marrësh shpërblimin tënd në mbarimin e ditëve.”

Danieli: 13. Suzana e gjykimi i Danielit

13

1 Na ishte në Babiloni një njeri që e kishte emrin Joakim.

2 Kishte marrë për grua Suzanën, bijën e Helcisë, që ishte shumë e bukur dhe e druante Zotin. 3 Prindërit e saj, pasi ishin njerëz të drejtë, e edukuan vajzën e vet sipas Ligjit të Moisiut. 4 Joakimi ishte shumë i pasur. Përbri shtëpisë së vet kishte një kopsht. Tek ai tuboheshin judenjtë me shumicë, sepse e çmonin më tepër se të gjithë të tjerët.

5 Atë vit zgjodhën për gjykatës dy pleq nga populli. Ishin nga ata, për të cilët Zoti ka thënë: “Paudhësia doli nga Babilonia me anë të pleqve gjykatës që vetëm dukeshin si udhëheqës të popullit. 6 Këta shkonin në shtëpinë e Joakimit e te ta shkonin të gjithë ata që kishin ndonjë çështje gjyqësore.

7 Kur, rreth mesditës, populli shpërndahej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet. 8 Ata dy pleqtë e shihnin çdo ditë duke hyrë e shëtitur dhe e lakmuan. 9 E humbën dritën e arsyes, sytë e vet më nuk i lartësuan për ta parë Qiellin e për t’i kujtuar gjyqet e drejta. 10 Të dy u goditën nga dëshirimi për të, por s’ia dëftuan njëri‑tjetrit epshin e vet, 11 sepse u vinte turp t’ia zbulonin shokut lakmimin që kishin për të, 12 por çdo ditë mundoheshin me shumë dëshirë që ta shikonin. Një ditë i thanë njëri‑tjetrit: 13 ”Po shkojmë në shtëpi se është koha e drekës!” Dolën jashtë e u shpërndanë, 14 por u kthyen dhe u gjetën në të njëjtin vend e, duke pyetur njëri‑tjetrin pse u kthyen, rrëfyen epshin e vet. Atëherë së bashku caktuan kohën kur Suzanën do ta gjenin vetëm. 15 Kështu ata po prisnin rastin e volitshëm. Një ditë erdhi Suzana, sikurse edhe ditëve më përpara, vetëm me dy shërbëtore e, pasi bënte vapë, deshi të bëjë banjë në kopsht. 16 Aty s’ishte askush tjetër, përveç dy pleqve të fshehur që po e shikonin. 17 Suzana u tha shërbëtoreve: “Më sillni vaj e erëra të mira dhe ma mbyllni derën e kopshtit që të lahem.” 18 Ato bënë si i urdhëroi. E mbyllën derën e kopshtit dhe dolën nëpër anësore për të sjellë çka kishte kërkuar: e nuk dinin se pleqtë ishin fshehur brenda.

19 Kur shërbëtoret dolën, u çuan dy pleqtë, vrapuan tek ajo e i thanë: 20 “Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e askush nuk na sheh. Ne kemi rënë në dëshirimin tënd: na u dorëzo e të biem me ty! 21 Por, nëse s’dëgjon, do të bëjmë dëshmi kundër teje se ka qenë me ty një djalosh e për këtë arsye i ke nisur shërbëtoret larg teje.” 22 Suzana dënesi e tha: “Kam rënë gjallë e ngushtë: në qoftë se bëj atë çka kërkoni, më pret vdekja, në qoftë se s’bëj ashtu, s’do të mund të shpëtoj prej duarve tuaja; 23 por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit.” 24 Atëherë Suzana lëshoi një britmë të madhe. Bërtitën edhe pleqtë kundër saj 25 dhe njëri prej tyre u lëshua vrap dhe e hapi derën e kopshtit.

26 Kur anëtarët e familjes dëgjuan britmat në kopsht, u lëshuan vrap nëpër derën anësore për të parë se ç’kishte ndodhur. 27 Kur pleqtë i treguan fjalët e veta, shërbëtorëve u ra një hije e zezë, sepse kurrë për Suzanën nuk ishte thënë një fjalë e tillë. 28 Të nesërmen, kur u mblodh populli në kuvend te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë plotësisht të vendosur që ta dënojnë Suzanën me vdekje. 29 Ata thanë para popullit: “Silleni Suzanën, bijën e Helcisë, gruan e Joakimit!” Ata shkuan për ta sjellë. 30 Ajo erdhi me prindër, me fëmijë e me të gjithë kushërinjtë. 31 Vërtet Suzana ishte shumë e njomë dhe e bukur për kah hijeshia! 32 Ata të paudhë urdhëruan ta hiqte velin, sepse me të ajo e kishte mbuluar fytyrën ‑ për t’u kënaqur me bukurinë e saj. 33 Qanin të gjithë njerëzit e saj dhe të gjithë ata që e shikonin. 34 Dy pleqtë u ngritën mes popullit e ia vunë duart mbi kokë. 35 Ajo, duke qarë, i çoi sytë drejt qiellit: sepse zemra e saj kishte besim në Zotin. 36 Pleqtë thanë: “Ndërsa ne po shëtisnim vetëm në kopsht, kjo hyri në kopsht me dy shërbëtore, e mbylli derën e kopshtit e i nisi shërbëtoret. 37 Atëherë iu afrua një djalosh që kishte qenë i fshehur, dhe ra me të. 38 Ne që ndodheshim në një kënd të kopshtit, kur e pamë këtë poshtërsi, vrapuam tek ata e i pamë mirë se ishin bashkuar. 39 Por atë nuk mundëm ta kapnim, sepse ishte më i fuqishëm se ne dhe, si e hapi derën, iku. 40 Këtë e kapëm dhe e pyetëm kush ishte ai djalosh, por nuk deshi të na tregojë. Për këtë gjë ne jemi dëshmitarë!”

41 Njerëzit u besuan porsi pleqve të popullit e gjykatësve dhe e dënuan Suzanën me vdekje.

Gjyqi i Danielit

42 Suzana lëshoi një britmë të madhe e tha: “O Hyj i amshueshëm, ti që i njeh fshehtësitë, ti që di gjithçka para se të ndodhë, 43 ti e di mirë se kundër meje sollën dëshmi të rreme! Ja, unë po vdes, megjithëse nuk bëra asgjë prej atyre që i sendërtoi shpirtligësia e tyre kundër meje!”

44 Zoti e dëgjoi lutjen e saj. 45 Ndërsa po e çonin për ta vrarë, Hyji zgjoi shpirtin e shenjtë të një djaloshi të ri, që quhet Daniel. 46 Ai bërtiti me zë të lartë: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e saj!”

47 Mbarë populli u soll prej tij e i tha: “Ç’është kjo fjalë që e the?” 48 Ai qëndroi mes tyre e tha: “Kaq të marrë jeni, bijtë e Izraelit? Pa e pasë pleqëruar të vërtetën e pa e njohur, e dënuat bijën e Izraelit! 49 Kthehuni në gjyq, sepse kanë dhënë dëshmi të rreme kundër saj!”

50 Vrik u kthye mbarë populli e të parët i thanë: “Eja, ulu mes nesh e na trego, sepse Zoti ta dha nderin e pleqërisë!”

51 Atëherë Danieli u tha: “Ndajini ata larg njëri‑tjetrit e unë do t’i marr në pyetje.” 52 Pasi qenë ndarë prej njëri‑tjetrit, e thirri njërin prej tyre e i tha: “Plakushani i ditëve të zeza, tani po dalin në dritë mëkatet e tua, që më parë i bëje, 53 duke gjykuar gjyqe padrejtësisht: të pafajshmit i dënoje e fajtorët i liroje, e mirë e di se Zoti thotë: ‘Mos e vra të pafajshmin e të drejtin!’ 54 Tani, pra, nëse e ke parë, thuaj nën cilën pemë i pe duke biseduar?’ Ai u përgjigj: “Nën xinë.” 55 Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate! Sepse, ja, posa engjëlli e mori dënimin prej Hyjit, do të të presë përmes!”

56 Si e larguan atë, urdhëroi të sillet tjetri e i tha: “Pjellë e Kanaanit e jo e Judës, t’i mori mendtë bukuria e lakmia ta prishi zemrën. 57 Kështu ua bënit bijave të Izraelit e ato prej frikës ju lëshoheshin në duar, por bija e Judës nuk e duroi poshtërsinë tuaj. 58 Tani, pra, më thuaj: nën cilën pemë i zure ata duke biseduar?” Ai tha: “Nën plepin e egër!” 59 Atëherë Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate edhe ti! Gati është në këmbë engjëlli i Hyjit, me shpatë në dorë për të të prerë përmes e për të të vrarë!”

60 Atëherë mbarë kuvendi zuri të bërtasë me zë të lartë e t’i japë lavdi Hyjit, që i shpëton ata që shpresojnë në të. 61 U çuan kundër dy pleqve ‑ të cilët Danieli i shtrëngoi të pohonin me gojën e vet se kishin dhënë dëshmi të rreme ‑ dhe ua bënë atyre ashtu si ata, të shtyrë nga shpirtligësia e vet, kishin sendërtuar t’ia bënin të afërmit, 62 sipas Ligjit të Moisiut i vranë ata. Dhe atë ditë e shpëtuan gjakun e pafajshëm.

63 Helcia e gruaja e tij i dhanë lavdi Hyjit për bijën e vet Suzanën bashkë me Joakimin, burrin e saj, e me të gjithë të afërmit e saj që s’u gjet në të farë turpi.

64 Që prejasaj dite Danieli u bë i përmendur në sy të popullit.

Danieli: 14. Danieli e priftërinjtë e Belit

14

1 Mbreti Astiagj qe varrosur përbri etërve të vet e Ciri persian ia trashëgoi mbretërinë. 2 Danieli jetonte me mbretin, i cili e çmonte më tepër se çdo mik tjetër. 3 Babilonasit kishin një idhull që quhej Bel. Për çdo ditë shpenzonin për të dymbëdhjetë artabë të më të mirit miell, dyzet dele dhe gjashtë masa verë. 4 Gjithashtu edhe mbreti e nderonte dhe çdo ditë shkonte për ta adhuruar. Danieli adhuronte Hyjin e vet. Mbreti i tha: “Pse nuk e adhuron Belin?” 5 Danieli iu përgjigj: “Unë nuk i adhuroj idhujt e punuar me dorë, por vetëm Hyjin e gjallë, që krijoi qiellin e tokën e që ka pushtet mbi çdo gjallesë.” 6 E mbreti i tha: “Pse, a nuk të duket se Beli është hyj i gjallë? Pse a nuk sheh sa ha e pi çdo ditë?” 7 Danieli iu përgjigj me buzë në gaz: “Mos gabo, o mbret, sepse ai përbrenda është prej bote e përjashta është i artë: ai kurrë as s’ka ngrënë as s’ka pirë.”

8 Mbreti, i zemëruar, i thirri priftërinjtë e Belit e u tha: “Në mos më tregofshi se kush i ha këto ushqime, do t’ju vras! 9 Po në qoftë se ma vërtetoni se këto i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit.” Danieli i tha mbretit: “U bëftë sipas fjalës sate!” Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë pa numëruar gratë dhe fëmijët.

10 Mbreti erdhi me Danielin në tempullin e Belit. 11 Priftërinjtë e Belit i thanë: “Ja, ne po dalim jashtë. Ti, o mbret, silli ushqimet e verën e përzier: pastaj mbylle derën e vulose me unazën tënde. 12 Kur të hysh në mëngjes, nëse nuk i gjen të gjitha të ngrëna nga Beli, na vra ne ose Danielin, i cili rrejti kundër nesh.”

13 Ata s’e druanin vdekjen, sepse kishin punuar nën tryezë një hyrje të fshehtë e nëpër të hynin çdo ditë e i përlanin ushqimet.

Danieli zbuloi dredhinë

14 Pasi ata dolën, mbreti i vendosi ushqimet para Belit. Danieli i urdhëroi shërbëtorët e vet e ata i sollën hi dhe e shpërndanë nëpër mbarë tempullin në prani vetëm të mbretit. Pastaj dolën jashtë, e mbyllën derën, e vulosën me unazën e mbretit dhe shkuan. 15 E priftërinjtë hynë natën, siç e kishin zakon, edhe gratë e fëmijët e tyre, i hëngrën dhe i pinë të gjitha. 16 Po edhe mbreti u ngrit në mëngjes shumë herët, e edhe Danieli bashkë me të. 17 Mbreti e pyeti: “Daniel, a janë vulat shëndoshë e mirë? ‑ Shëndoshë e mirë janë, o mbret ‑ iu përgjigj Danieli. 18 Menjëherë, posa e hapi derën, si ia lëshoi hodhi sytë tryezës, mbreti brohoriti me zë të lartë: “I madh je, o Bel, e me ty nuk ka kurrfarë dredhie!” 19 Danielit i shpërtheu gazi, e mbajti mbretin të mos hynte brenda e tha: “Shikoje truallin e mendo gjurmët e kujt janë këto!” 20 Mbreti tha: “Po shoh gjurmë trimash, grash e fëmijësh.” Mbreti u hidhërua. 21 I kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, kurse ata i treguan hyrjen e fshehtë, nëpër të cilën hynin e hanin së bashku gjithçka ishte në tryezë. 22 Mbreti i vrau ata e Belin ia dha Danielit t’i bëjë atij çka të dojë. Ai e rrënoi atë dhe tempullin e tij.

Danieli mbyt gjarprin

23 Ishte një kuçedër e madhe e babilonasit i jepnin nderim. 24 Mbreti i tha Danielit: “S’ke si thua se ky nuk është një hyj i gjallë? Pra, adhuroje!” 25 Danieli iu përgjigj: “Unë adhuroj Zotin, Hyjin tim, sepse ai është Hyj i gjallë. 26 E ti, o mbret, më jep leje e unë do ta vras gjarprin pa shpatë e pa shkop.” Mbreti i tha: “Lejen e ke.” 27 Atëherë Danieli mori peshkve, dhjamë e qime e i zjeu së bashku, bëri me to lëmsha dhe ia futi në gojë gjarprit e, pasi i hëngri, gjarpri plasi. Danieli tha: “Shikoni se çka adhuronit!”

Danieli në shpellën e luanëve

28 Kur morën vesh babilonasit, të zemëruar sa s’ka, u bashkuan kundër mbretit e thanë: “Mbreti u bë çifut: e shkatërroi Belin, e mbyti gjarprin e i vrau priftërinjtë!” 29 Atëherë shkuan para mbretit e i thanë: “Na e dorëzo Danielin, përndryshe do të të vrasim ty dhe familjen tënde.” 30 Pa mbreti se ishin sulur kundër tij me tërbim e, i shtrënguar prej ngushticës, ua dorëzoi Danielin. 31 Ata e hodhën në shpellën e luanëve e ndenji aty gjashtë ditë. 32 Në shpellë ishin shtatë luanë. Për çdo ditë u jepnin dy kufoma e dy dele. Asohere nuk u dhanë asgjë me qëllim që ta përpinin Danielin.

33 Profeti Abakuk ishte në Jude: kishte përgatitur një mëlmesë, në enë kishte përsheshur bukën e po nisej në fushë për t’ua çuar korrtarëve. 34 Por engjëlli i Zotit i tha Abakukut: “Sillën që e ke në dorë, çoja Danielit në Babiloni. Është në shpellën e luanëve.” 35 Abakuku iu përgjigj: “Zotëri, Babiloninë s’e kam parë kurrë e shpella s’di se ku është.” 36 Engjëlli e kapi në majë të kokës e, duke e mbartur për floku me fuqinë e shpirtit të vet e lëshoi në Babiloni përmbi shpellë. 37 Abakuku thirri e tha: “Daniel, o Daniel, merre drekën që ta dërgoi Hyji.” 38 Danieli tha: “Të ka rënë ndër mend për mua, o Hyj; ti nuk i lëshon dore ata që të duan.” 39 Danieli u çua e hëngri drekë, kurse engjëlli i Hyjit menjëherë e ktheu Abakukun në vendin e vet.

40 Të shtatën ditë mbreti erdhi që ta vajtojë Danielin. Kur arriti te shpella, shikoi brenda, dhe ja, Danieli po rrinte ndenjur. 41 Atëherë mbreti bërtiti me sa zë që kishte e tha: “I madh je, o Zot, Hyji i Danielit, përveç teje Zot tjetër nuk ka!” 42 Atëherë dha urdhër që ta nxjerrin Danielin nga shpella e i hodhi në shpellë ata që kishin kërkuar vdekjen e tij: luanët menjëherë i përlanë para syve të tij.