Zakaria: 1. Grishje për kthim

1

1 Kjo fjalë e Zotit i qe drejtuar në të tetin

muaj, në të dytin vit të Dariut, profetit Zakari, birit të Barakisë, të birit të Ados: 2 ”Zoti është zemëruar shumë kundër etërve tuaj. 3 Prandaj, thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni kah unë ‑thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. ‑ 4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.’ Por, ata s’dëgjuan as s’qenë në kujdes për mua, thotë Zoti. 5 Ku janë etërit tuaj? Po profetët a thua përgjithmonë do të jetojnë? 6 Fjalët e mia e urdhrat që ua dhashë shërbëtorëve të mi profetëve, a thua, vallë, nuk u plotësuan mbi etërit tuaj? Ata u kthyen e thanë: ‘Zoti i Ushtrive u soll me ne ashtu siç kishte vendosur të bëjë, sipas udhëve tona e mënyrës së sjelljes sonë. ’”

Vegimi i parë: kalorësit

7 Kjo fjalë e Zotit i që drejtuar ditën e njëzetekatërt të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji Sabat, në vitin e dytë të Dariut, profetit Zakari, birit të Barakisë, birit të Ados.

8 Pata një vegim natën. Dhe, ja, një njeri mbi kalë të kuq. Qëndronte ndër merta që ishin në fund të luginës; pas tij ishin kuaj të kuq, të kuqrremtë e të bardhë. 9 Unë pyeta: “Çka janë këta, Imzot?” M’u përgjigj engjëlli që fliste me mua: “Unë do të të dëftoj se çka janë këta.” 10 U përgjigj ai burri që qëndronte ndër merta e tha: “Këta janë ata që Zoti i dërgoi ta marrin dheun në sy.” 11 Ata iu drejtuan engjëllit të Zotit që qëndronte ndër merta e thanë: “E përshkuam tokën dhe, ja, mbarë toka është e banuar e në qetësi.”

12 Atëherë mori fjalën engjëlli i Zotit e tha: “O Zoti i Ushtrive, deri kur nuk do të kesh dhimbje për Jerusalemin e për qytetet e Judës, kundër të cilave je ndezur në hidhërim? Ky është tashmë i shtatëdhjeti vit!” 13 Zoti iu përgjigj engjëllit që fliste me mua fjalë të mira, fjalë ngushëlluese. 14 Atëherë engjëlli që fliste me mua, më tha: “Bërtit e thuaj: Kështu tha Zoti i Ushtrive: Kam një dashuri tejet ziliqare për Jerusalemin e për Sionin, 15 dhe flakë jam ndezur në zemërim kundër kombeve krenare, sepse unë u hidhërova pak, e ata bashkëvepruan për së tepërmi në të keqe. 16 Prandaj, kështu thotë Zoti: Po kthehem përsëri në Jerusalem me mëshirë. Në të do të ndërtohet Tempulli ‑thotë Zoti i Ushtrive ‑ dhe plumçi do të shtrihet përsëri përmbi Jerusalem. 17 Bëje edhe këtë shpallje: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Qytetet e mia prapë do të mbushen me të mira. Zoti prapë do ta ngushëllojë Sionin, përsëri do ta zgjedhë Jerusalemin!”

Zakaria: 2. Vegimi i dytë: brirët dhe farkëtarët

2

1 Atëherë i lartësova sytë e, ja, pashë katër brirë. 2 E pyeta engjëllin që fliste me mua: ‘Çka janë këta?’ Ai m’u përgjigj: “Këta janë brirët që e shpërndanë Judën, Izraelin e Jerusalemin.” 3 Atëherë Zoti më dëftoi edhe katër farkëtarë. 4 Unë pyeta: ‘Po këta çfarë erdhën të bëjnë?’ Ai u përgjigj: “Ata janë brirët që e kanë shpërndarë Judën sa që asnjë të mos guxojë të çojë më kokë. Këta erdhën t’i trembin e t’ua thyejnë brirët paganëve që e përdorën fuqinë e vet kundër Judës për ta shpërndarë.”

Vegimi i tretë: matësi

5 I çova sytë dhe pashë: ja, një njeri që mbante në dorë konopin e matjes. 6 Pyeta: “Kah po ja mban? Ai m’u përgjigj: ‘Për ta matur Jerusalemin e për të parë sa është gjerësia e tij e sa gjatësia.’”

7 Dhe, ja, engjëlli që fliste me mua, doli dhe një engjëll tjetër iu afronte në takim: 8 i tha atij: “Vrapo e thuaj këtij djaloshi: Jerusalemi duhet të jetë pa mure për shkak të një shumice të madhe njerëzish e bagëtish që do të jenë në të. 9 Unë do të jem ‑ thotë Zoti ‑ mur i zjarrtë përreth tij dhe Lavdia e tij në mesin e tij.”

Dy grishje të shpërngulurve

10 “Hej, hej! Ikni nga toka e Veriut ‑ thotë Zoti ‑ sepse unë ju pata tretur në katër erërat e qiellit ‑ thotë Zoti ‑ . 11 O Sion, ku e lë, ik ti që banon te bija e Babilonit! 12 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Lavdia e të cilit më dërgoi ndër popuj, të cilët ju patën rrëmbyer: Kush t’ju prekë ju, prek beben e syrit tim! 13 Ja, unë po e lartësoj dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen preja e skllevërve të vet! “Kështu do ta kuptoni se më ka dërguar Zoti i Ushtrive.

14 Gëzo e galdo, bija e Sionit,

sepse, ja, unë po vij

e do të banoj në ty,

‑ thotë Zoti.

15 Atë ditë popuj të shumtë

do t’i mbështeten Zotit

e do të jenë populli i tij.

Do të banoj në mesin tënd

e do ta kuptosh se Zoti i Ushtrive

më dërgoi te ti.

16 Juda prapë do të bëhet prona e Zotit

‑ pjesa e tij mbi Tokën e shenjtë,

do ta zgjedhë rishtas Jerusalemin.

17 Çdo i vdekshëm të heshtë para Zotit,

sepse u zgjua nga banesa e tij e shenjtë!”

Zakaria: 3. Vegimi i katërt: petkat e Jezuait

3

1 Atëherë ma dëftoi kryepriftin Jezua në këmbë para engjëllit të Zotit. Në të djathtën e tij rrinte Satani për ta paditur.

2 Engjëlli i Zotit i tha Satanit: “Të t’u kërcënoftë Zoti, o Satan! Të të mposhtë Zoti që e zgjodhi Jerusalemin! Pse a nuk është ky urë e nxjerrë nga zjarri?” 3 Jezuai ishte i veshur me petka të ndyta dhe qëndronte në këmbë para engjëllit. 4 Ky u tha atyre që qëndronin para tij: “Hiqjani petkat e ndyta!” Edhe vazhdoi dhe i tha atij: “Ja, e hoqa prej teje fajësinë; po të vesh me petka të linjta!” 5 E vazhdoi: “Vërjani në kokë rizën e pastër!” Ata ia vunë rizën e pastër në kokë dhe e veshën me petka. Ndërkaq engjëlli i Zotit qëndronte në këmbë.

6 Atëherë engjëlli i Zotit i tha Jezuait: 7 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Nëse do të ecësh udhëve të mia, nëse do ta zbatosh shërbesën time, ti do ta sundosh shtëpinë time, do jesh rojtari i tremeve të mia e do të bëj të rrish me këta që janë këtu pranë.”

Ardhja e “Pinjollit”.

8 “Dëgjo, kryeprifti i madh Jezua! Ti edhe miqtë e tu që rrinë përreth teje, sepse janë njerëz: shenjë parakallëzuese: Ja, pra, unë po e sjell shërbëtorin tim Pinjollin.

9 Dhe, ja, gurin që po e vë para Jezuait: mbi këtë gur janë shtatë sy, dhe në të do ta zgavërroj mbishkrimin ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. E do ta zhduk në një ditë të vetme fajësinë e këtij vendi. 10 Po se atë ditë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ secili do ta thërrasë mikun e vet nën hardhi e nën fik.”

Zakaria: 4. Vegimi i pestë: shandani dhe ullinjtë

4

1 Atëherë u kthye engjëlli që fliste me mua dhe më zgjoi siç zgjohet njeriu nga gjumi. 2 Ai më tha: “Çka sheh?” I përgjigja: “Ja, po shoh: ja, një shandan krejt prej ari dhe në majë të tij filtari, mbi të edhe shtatë dritëzat e tija e shtatë hinkat e dritëzave që janë mbi majën e tij. 3 Përmbi të janë dy ullinj: njëri në të djathtën e filtarit e tjetri në të majtën e tij.”

4 Unë vazhdova e i thashë engjëllit që fliste me mua: “Ç’do të thonë këto gjëra, Imzot?” 5 M’u përgjigj engjëlli që fliste me mua e më tha: “Pse a nuk e di se çka janë këto?” I thashë: “Jo, Imzot!”

Tri fjalë për Zorobabelin

6 Vazhdoi pastaj e më tha: “Ja, fjala e Zotit për Zorobabelin: Jo me ushtri as me fuqi, por me shpirtin tim ‑ thotë Zoti i Ushtrive.

7 Çka je ti, o mal i madh? Para Zorobabelit rrafshinë do të bëhesh! Ai do ta nxjerrë gurin kryesor me brohoritje: Oh, sa i bukur!”

8 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 9 ”Duart e Zorobabelit ia hodhën themelet kësaj Shtëpie dhe duart e tija do t’i japin fund! E ju do ta merrni vesh se Zoti i Ushtrive më ka dërguar te ju. 10 Kush guxoi ta përbuzë ditën e fillimeve të pakreni? Do të galdojnë kur ta shikojnë plumçin në dorën e Zorobabelit! Ato shtatë dritëza janë sytë e Zotit që shqyrtojnë mbarë tokën!”

11 Atëherë vetë e mora fjalën e pyeta: “Çka shënojnë këta dy ullinj në të djathtën e në të majtën e shandanit?” 12 E mora fjalën të dytën herë e thashë: “Po çka janë ata dy gema ulliri që nëpër dy gypa të artë ndikojnë prej vetes ar?” 13 Ai m’u përgjigj: “Pse a nuk e di se çka janë ata?” Thashë: “Jo, Imzot!” 14 Ai më tha: “Këta janë dy të shuguruarit që janë në shërbimin e Zotëruesit të mbarë tokës.”

Zakaria: 5. Vegimi i gjashtë: libri që fluturon

5

1 U solla, i çova sytë dhe pashë: ja, një libër po fluturonte! 2 Ai më pyeti: “Çka sheh?” Unë i përgjigja: “Po shoh një libër që fluturon. Gjatësia e tij njëzet kute e gjerësia dhjetë kute.” 3 Ai më tha: “Ky është Mallkimi që po del mbi mbarë tokën. Çdo vjedhës do të dëbohet prej këndej porsi ky libër e edhe çdo njeri që përbetohet rrejshëm do të dëbohet prej këndej porsi ai libër! 4 Unë e nis atë e ai do të shkojë në shtëpinë e vjedhësit e të atij që bën be rrejshëm në emër tim ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑; do të zërë vend në shtëpi të tij dhe do ta përlajë atë me lëndë e me gurë!”

Vegimi i shtatë: gruaja në efë

5 Engjëlli që fliste me mua, doli e më tha: “Çoj, po të lutem, sytë e shiko. Çka është kjo që po del?” 6 Unë i thashë: “Çfarë është?” Ai m’u përgjigj: “Ja, po del efa!” Dhe shtoi: “Kjo është fajësia e tyre mbi mbarë sipërfaqen e tokës.” 7 Dhe, ja, u çel kapaku plumbi dhe, ja, u duk një grua që rrinte në efë! 8 Ai më tha: “Kjo është vetë prapësia!” E hodhi në efë dhe në grykë të saj ia qiti kapakun e plumbit.

9 Unë i çova sytë e mi e pashë dhe, ja, u dukën dy gra! Në krahët e tyre frynte era e krahët i kishin porsi skifteri. Ato e ngritën efën ndërmjet qiellit e tokës. 10 Unë i thashë engjëllit që fliste me mua: “Ku po e çojnë efën?” 11 Ai m’u përgjigj: “Po shkojnë t’i ndërtojnë një tempull në Senaar. Kur ta kenë ndërtuar do t’ia punojnë bazamentin në të cilën do ta vendojnë.”

Zakaria: 6. Vegimi i tetë: karrocat

6

1 Përsëri i çova sytë dhe pashë: Ja, katër karroca po dilnin ndërmjet dy maleve. Malet, malet ishin tuçi. 2 Në karrocën e parë kuajt ishin të kuq, në karrocën e dytë kuajt ishin të zez, 3 në karrocën e tretë kuajt ishin të bardhë, kurse në karrocën e katërt kuajt ishin të larmë. 4 Unë mora fjalën e i thashë engjëllit që fliste me mua: “Po çka janë këto, Imzot?” 5 Engjëlli m’u përgjigj e më tha: “Këto janë katër erërat e qiellit, që po dalin pasi qenë para Zotëruesit të mbarë tokës.”

6 Karroca që i kishte kuajt e zez po shkonte në tokën e veriut. Pas tyre dolën të bardhët e të larmit dolën në drejtim të tokës së mesditës. 7 Hidheshin me zemërim për ta qarkulluar tokën. Ai u tha: “Shkoni, përshkojeni tokën!” Ata dolën dhe e përshkuan tokën. 8 Ai më thirri e më tha: “Ja, ata që u nisën në tokën e veriut, ata do ta qetësojnë shpirtin tim në tokën e veriut.”

Keza kushtimore

9 Fjala e Zotit më qe drejtuar kështu:

10 “Merri dhuratat e atyre që janë të mërguar, prej Holdait, Tobisë e Jedajës që erdhën nga Babiloni e shko, po atë ditë, e hyr te Jozia, biri i Sofonisë. 11 Merre argjendin e arin, punoje një kurorë e vërja në kokë Jezusit, birit të Jozedekut, kryepriftit 12 e thuaj: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Qe njeriu i cili quhet Pinjoll: aty ku është ai, diçka do të mbijë! Ai do ta ndërtojë Tempullin e Zotit. 13 Ky do ta rindërtojë Shenjtëroren e Zotit. Ai do ta mbartë lavdinë e do të rrijë si zotërues përmbi fronin e vet. Një prift do t’i rrijë në të djathtën. Një përkim i plotë do të mbretërojë ndërmjet këtyre të dyve. 14 Keza le të rrijë në Shenjtëroren e Zotit si shenjë përkujtuese në nder të Helemit, Tobisë, Idajës e të Henit, birit të Sofonisë. 15 Edhe ata që janë larg do të vijnë e do ta ndërtojnë Tempullin e Zotit. Kështu do ta dini se Zoti i Ushtrive më ka dërguar te ju.

Do të ndodhë kështu nëse do ta dëgjoni zërin e Zotit, Hyjit tuaj. ’”

Zakaria: 7. Pyetje lidhur me agjërim

7

1 Në vitin e katërt të mbretit Dari, në ditën e katërt të muajit të nëntë që është Kasleu, i qe drejtuar fjala e Zotit Zakarisë. 2 Beteli kishte dërguar Sarasarin e Regemmelekun e disa burra që ishin me të për t’iu lutur fytyrës së Zotit e 3 për t’i pyetur priftërinjtë e Tempullit të Zotit të Ushtrive e profetët: “A duhet unë të mbaj zi e të agjëroj në muajin e pestë, siç po bëj tash sa vjet?”

Kthim në të kaluarën e kombit

4 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit të Ushtrive:

5 “Thuaj mbarë popullit të vendit e priftërinjve: “Kur ju agjëroshit dhe qanit në të pestin e në të shtatin muaj gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve a me të vërtetë agjëronit për dashuri ndaj meje? 6 Edhe kur hanit e pinit, a thua s’ hanit e nuk pinit për vetvete? 7 Pse a nuk është ky vështrimi i fjalëve që i ka shpallur Zoti me anë të profetëve të mëparshëm , kur ende Jerusalemi banohej e ishte në paqe me qytetet që e rrethojnë, kur ende ishte i banuar Nagebi bashkë me Sefelën?”

8 Fjala e Zotit i qe drejtuar Zakarisë: 9 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Gjykoni gjyq të drejtë e kini dhimbje e dhembshuri njëri për tjetrin. 10 Mos e shfrytëzoni vejushën, bonjakun, ardhacakun e skamnorin dhe mos ia mendoni të keqen në zemrën tuaj asnjëri vëllait të vet. 11 Por, ata nuk deshën të jenë të kujdesshëm. Si kryengritës e sollën shpinën dhe i rënduan veshët e vet që të mos dëgjojnë. 12 Diamant e bënë zemrën e vet të fortë për të mos i dëgjuar Ligjin e urdhrat që ua dërgoi Zoti i Ushtrive me shpirtin e vet nëpër profetët e mëparshëm. Atëherë flakë u ndez zemërimi i Zotit të Ushtrive. 13 Atëherë ndodhi kështu: sikurse kur Ai i thërriste e ata nuk e dëgjuan, kështu edhe këta do ta thërrasin e unë nuk do t’i dëgjoj ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive. 14 Unë i treta ndër të gjitha ato kombe që nuk i njihnin. Toka mbeti shkretë pas tyre sa që askush nuk përshkohej nëpër të as nuk kthehej. Tokën veç ashtu të dëshirueshme e shndërruan në vend të shkretë.”

Zakaria: 8. Shpëtimi në Mesinë

8

1 Atëherë erdhi kjo fjalë e Zotit të Ushtrive: 2 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Flakë jam ndezur me dashuri ziliqare për Sionin,

digjem në të mirën e tij nga zemërimi.”

3 Kështu thotë Zoti:

“Po kthehem në Sion,

dua të banoj në Jerusalem.

Jerusalemi do të quhet Qyteti i Besnikërisë

e Mali i Zotit të Ushtrive

Mali i Shenjtërisë.

4 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Pleq e plaka prapë do të rrinë

në sheshe të Jerusalemit:

secili do ta ketë në dorë shkopin

për shkak të moshës së thellë!

5 Sheshet e qytetit do të mbushen plot

me meca e me cuca

që do të luajnë nëpër tregjet e tija!

6 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Nëse kjo duket një gjë e vështirë

për sytë e Tepricës së këtij populli

për ato ditë,

pse a do të jetë e vështirë

edhe për sytë e mi? ‑

thotë Zoti i Ushtrive.

7 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Ja unë po shpëtoj popullin tim

prej tokës së lindjes

dhe prej tokës së perëndimit.

8 Do t’i kthej

e do të banojnë në Jerusalem.

Ata do të jenë populli im

e unë do të jem Hyji i tyre

në besnikëri e në drejtësi.

9 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Le t’u forcohen duart tuaja ‑ të gjithëve, e ju që në këto ditë po i dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve, në këtë ditë kur u hodhën themelet e Shtëpisë së Zotit të Ushtrive për rindërtimin e Tempullit!

10 Sepse, para këso dite,

nuk i paguhej paga mëditësit,

pagë nuk kishte as për kafshë,

s’kishte paqe prej armikut për atë që hynte o dilte,

prej të gjithë njerëzve hoqa dorë

të bëjë secili çka të dojë kundër tjetrit!

11 Kurse tani, ndaj Tepricës së këtij populli,

nuk do të jem si në ditë të mëparshme

‑ thotë Zoti i Ushtrive.

12 Por do të jetë fara e paqes:

hardhia do të japë frytin e vet,

edhe toka do ta japë prodhimin e vet.

Pronare të të gjitha këtyre

do ta bëj Tepricën e këtij populli.

13 Dhe siç ishit Mallkim ndër kombe, o shtëpi e Judës e shtëpia e Izraelit, po ashtu do t’ju shpëtoj e do të jeni Bekim. 14 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Siç vendosa t’ju ndëshkoj, kur më kanë bërë të zemërohem etërit tuaj ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑, 15 dhe nuk pata mëshirë, po ashtu, i kthyer, vendosa në këto ditë, ta bekoj Jerusalemin dhe shtëpinë e Judës: mos kini frikë!

16 Ja, pra, se çka ju duhet të bëni: thoni të vërtetën secili vëllait të vet dhe gjykoni drejtësisht në dyert tuaja. 17 Askush në zemrën e vet të mos ia mendojë të keqen mikut të vet dhe mos e doni përbetimin në rrenë: për të vërtetë unë i urrej të gjitha këto” ‑ thotë Zoti.

Përgjigjja që ka të bëj me agjërimin

18 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

19 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe i të dhjetit për shtëpinë e Judës do të jetë gëzim, galdim e festë në shenjë. Por, dojeni të vërtetën e paqen!”

Shpëtimi pritet prej Mesisë

20 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: “Edhe popuj të tjerë do të vijnë dhe banorë të shumë qyteteve. 21 Banorët e një qyteti do të shkojnë në një tjetër e do të thonë: ‘Të shkojmë të lutemi para fytyrës së Zotit e ta kërkojmë Zotin e Ushtrive! Po shkoj edhe vetë!’

22 Kështu do të vijnë shumë popuj e kombe të forta për ta kërkuar Zotin e Ushtrive në Jerusalem e për t’u lutur para fytyrës së Zotit.

23 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Në ato ditë do ta kapin për kindit të petkut dhjetë vetë prej çdo gjuhe të kombeve do ta kapin hebreun e do t’i thonë: “Po vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Hyji është me ju. ’”

Zakaria: 9. Toka e re

9

1 Profeci.

Toka e re

Fjala e Zotit është në dheun Hadrak,

në Damask e ka pushimin,

sepse Zotit i përket syri i Aramit

pikërisht porsi fiset e Izraelit.

2 Edhe Emati është në kufijtë e tij,

Tiri edhe Sidoni, urtia e të cilit është e madhe.

3 Tiri ndërtoi fortesën e vet,

bashkoi argjend porsi pluhur

dhe ar porsi baltën e rrugëve.

4 Ja, Zoti po e merr për pronë

e në det do ta hedhë fuqinë e tij,

kurse atë do ta rrëmbejë zjarri.

5 Do të shohë Askaloni e do të trembet,

në dhimbje të mëdha do të përdridhet Gaza,

edhe Akaroni sepse në rrenë e la shpresa.

Do të mbarojë mbreti i Gazës,

Askaloni do të mbesë pa banorë.

6 Bastardhat do të banojnë në Azot,

do ta zhdukë krenarinë e filistenjve.

7 Prej gojës do t’ia heq gjakun,

iritë e tija do t’ia nxjerr prej dhëmbësh.

Edhe ai do të jetë Tepricë për Hyjin tonë,

do të jetë porsi një prijës në Judë,

Akaroni porsi Jebuseu.

8 Si mur mbrojtës do ta rrethoj Shtëpinë time

kundër atyre që vijnë e shkojnë,

tagrambledhës s’do të kalojë n’për të,

sepse tanie shikoj me sy të mi.”

Mesia

9 Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit,

galdo, Bija e Jerusalemit!

ja, mbreti yt, po vjen te ti:

është i drejtë e Shpëtimtar,

por i përvuajtur e në shpinë të gomarit,

në shpinë të gaçit, zogut të gomarit!

10 Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën,

kalin nga Jerusalemi.

Do të copëtohet harku i luftës.

Kombeve do t’u shpallë paqen.

Sundimi i tij prej detit në det

prej Lumit në skajet e tokës!

Rivendosja e Izraelit

11 Edhe ty, në saje të gjakut të Besëlidhjes sate,

do t’i nxjerr nga liqeni

që s’ka ujë

të burgosurit e tu!

12 Kthehuni në qytezë,

o të burgosur plot me shpresë,

sepse sot unë vetë po e shpall:

dyfish do të të shpaguaj!

13 Sepse e ngreha Judën porsi harkun,

e armatosa me Efraimin:

po i çoi në këmbë bijtë e tu, Sion,

kundër bijve të tu, Greqi,

shpatë heroi ty do të bëj!

14 Përmbi ta Zoti do të duket,

vetëtimë shigjeta e tij do të jetë!

Zoti Hyj do t’i bjerë trompetës,

hap e pash n’për thellimin e jugut!

15 Do t’i mbrojë Zoti i Ushtrive,

do t’i përpijnë, do t’i shqelmojnë

gurët e bahes,

do të pinë gjak, si me verë do të dehen,

do të mbushen si kupat, si brirët e lterit.

16 Zoti, Hyji i tyre, atë ditë

do t’i shpëtojë

porsi delet që janë populli i tij,

si gurë të paçmueshëm përmbi kezë

do të shkëlqejnë mbi tokë të tij!

17 Oh sa i mirë, sa i bukur do të jetë!

Gruri do të bëjë të rriten djemtë,

kurse virgjërat vera e ëmbël!

Zakaria: 10. Besnikëri ndaj Zotit

10

1 Kërkojeni prej Zotit shiun

në kohën e shirave të vona.

Zoti është ai që i bën vetëtimat,

ai u jep shi me rrëshekë,

secilit bar në arë të vet.

2 Terafimët kallëzojnë punë të kota,

kurse dijetarët shohin rrena,

gënjeshtra tregojnë ëndrrat,

japin ngushëllim të rremë,

prandaj enden si bagëtia,

heqin keq pse s’kanë bari.

Çlirimi dhe kthimi i Izraelit

3 Kundër barinjsh jam zemëruar,

rëndë cjeptë do t’i ndëshkoj!

Patjetër Zoti i Ushtrive

do t’i vijë në pasi grigjës së vet,

shtëpisë së Judës.

Do t’i bëjë të jenë

porsi kali i nderit të tij në luftë!

4 Prej tij do të dalë Guri i këndit,

prej tij Shtyllaku,

prej tij i luftës harku,

prej tij të gjithë prijësit!

Së bashku 5 do të jenë trima trimash

që në luftë shklasin si në baltë të rrugës.

Do të luftojnë pse Zoti është me ta,

të marruar do të mbesin ata që në kuaj hipin!

6 Të fortë do ta bëj shtëpinë e Judës,

do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit,

Do t’i kthej sepse më dhembsen

e do të jenë sikur kurrë të mos i kisha përbuzur:

unë Zoti, Hyji i tyre, do t’i dëgjoj!

7 Efraimët do të jenë trima,

si nga vera do t’u gëzohet zemra,

do të shohin të bijtë e do të gëzohen,

zemra e tyre do të gazmojë në Zotin.

8 Do të fërshëllej e do të bashkohen,

sepse vetë i kam shpërblyer,

do të jenë shumë si më parë ç’ishin!

9 Do t’i mbjell nëpër popuj,

por dhe larg mua do të më kujtojnë:

fëmijë do të rritin e do të kthehen.

10 Do t’i kthej prej dheut të Egjiptit,

do t’i mbledh prej Asyrisë,

do t’i kthej në dhe të Galaadit

e në Liban

dhe për ta s’do të ketë mjaft vend!

11 Do të kalojnë Detin e Ngushtë,

sepse do t’i godasë valët e detit,

do të teren thellësitë e lumit.

Do të përulet krenaria e Asyrisë,

Egjiptit do t’i merret skeptri.

12 Do t’i bëj të fortë në Zotin

do të lëvdohen në emër të tij

‑ është fjala e Zotit.

Zakaria: 11. Dy barinjtë

11

1 Hapi, Liban, dyert e tua,

t’i hajë zjarri cedrat e tu!

2 Gjëmo, bredh, se cedri ra,

sepse u shkretuan të madhërueshmit!

Gjëmoni, qarra të Basanit,

se ra pylli i papërshkueshëm!

3 Dëgjohet vajtim barinjsh,

se u rrafshua madhëria e tyre!

E luanëve ushton ulërima

se u rrënua krenaria e Jordanit!

Dy barinjtë

4 Kështu thotë Zoti, Hyji im: “Kulloti delet që janë për therore, 5 të cilat ata që i blejnë, i presin e nuk u dhimbsen, kurse ata që i shesin thonë: ‘Qoftë bekuar Zoti, u bëra i pasur!’, dhe barinjtë e tyre nuk i kursejnë.

6 Po as unë nuk do t’i kursej më banorët e vendit ‑ thotë Zoti ‑por, ja, unë do ta lëshoj secilin njeri në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet; do ta shkatërrojnë vendin e unë nuk do të shpëtoj gjë prej duarve të tyre.”

7 Unë atëherë zura t’i kullos delet për therore për tregtarë delesh. Mora dy kërraba: njërën e quajta Dashamirësi e tjetrën Tërkuzë dhe kullota grigjën. 8 Brenda një muaji i zhduka tre barinj. Unë zura t’i kem në iri, por edhe ato zunë të më kenë në iri. 9 Atëherë thashë: “Më nuk do t’ju kullos! Ajo që do të cofë, le të cofë! Ajo që duhet të zhduket, le të zhduket e ato që do të mbesin, le t’ia hanë njëra‑tjetrës mishin!” 10 Atëherë e mora kërrabën time, atë që quhet Dashamirësi, dhe e theva për ta zhbërë besëlidhjen që kam lidhur me të gjithë popujt. 11 Dhe ajo u zhbë po atë ditë. Tregtarët me dele, që më vërenin, e morën vesh se ky ishte një urdhër i Zotit. 12 Unë u thashë: “Nëse ju duket punë e drejtë, ma jepni pagën time, ndryshe mos i bini prapa!” Ma peshuan pagën time: tridhjetë sikla të argjendtë. 13 Atëherë Zoti më tha: “Hidhe në thesar atë çmim të bukur, me të cilin qeshë çmuar prej tyre.” I mora tridhjetë siklat e argjendtë dhe i hodha në Shtëpinë e Zotit, në thesar. 14 Atëherë e copëtova kërrabën e dytë timen, që quhej Tërkuzë, për ta zhbërë vëllazërinë ndërmjet Judës e Izraelit.

15 Atëherë Zoti më tha: “Merri edhe një herë almiset e bariut të marrë, 16 sepse, ja, unë dua ta ngrit në këtë vend një bari:

i cili s’do të kujdeset për atë që endet,

të humburën nuk do ta kërkojë,

të lënduarën nuk do ta shërojë,

të mekurës s’do t’i ndihmojë:

të majmet do t’i hajë

e thundrat do t’ua copëtojë.

17 Mjerë bariu i marrë që e lë grigjën!

I rëntë shpata përmbi krah

e përmbi syrin e tij të djathtë:

e djathta krejtësisht iu thaftë

syri i djathtë i verboftë!”

Zakaria: 12. Çlirimi dhe ripërtëritja e Jerusalemit

12

1 Profeci.

Fjala e Zotit për Izraelin e për Judën. Profeci e Zotit, i cili e shtriu qiellin, e themeloi tokën dhe që e ka trajtuar shpirtin e njeriut brenda në të:

2 “Ja, unë do ta bëj Jerusalemin kupë dehëse për të gjithë popujt përreth. Kjo do të ndodhë në rrethimin e Jerusalemit. 3 Do të ndodhë: atë ditë do ta bëj Jerusalemin gur për ta mbartur të gjithë popujt. Të gjithë ata që do ta mbartin në krah do të lëndohen rëndë dhe do të bashkohen rreth tij të gjitha kombet e tokës. 4 Atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑ do t’i godas me tmerr të gjithë kuajt e kalorësit e tyre me çmendje. Mbi shtëpinë e Judës do t’i hap mirë sytë e mi, kurse çdo kalë të popujve do ta godas me verbësi. 5 Atëherë krerët e Judës do të thonë në zemrën e vet: “Fuqia e banorëve të Jerusalemit është në Zotin e Ushtrive, Hyjin e tyre.” 6 Atë ditë do t’i bëj prijësit e Judës prushore të ndezur në turrë drush, vravashkë të ndezur përmbi sanë. Do t’i përpijnë djathtas e majtas të gjithë popujt përreth e Jerusalemi do të banohet përsëri në vendin e vet. 7 Zoti do t’i shpëtojë njëherë tendat e Judës, që të mos t’i rritet mendja shtëpisë së Davidit dhe banorëve të Jerusalemit kundrejt Judës. 8 Atë ditë Zoti do t’i mbrojë banorët e Jerusalemit: më i dobëti prej tyre atë ditë do të jetë si Davidi, kurse shtëpia e Davidit, porsi Hyji, porsi engjëlli i Zotit para tyre!

9 Do të ndodhë: atë ditë do të kërkoj t’i zhduk të gjitha kombet që do të vijnë kundër Jerusalemit. 10 Mbi shtëpinë e Davidit e mbi banorët e Jerusalemit do ta ndikoj shpirtin e hirit e të lutjes, e ata do t’i drejtojnë sytë kah unë. Do ta vajtojnë atë që e shporuan siç vajtohet djali i dëshirit, do të gjëmojnë mbi të siç bëhet gjëma mbi djalin e parëlindur. 11 Atë ditë do të jetë gjëmë e madhe në Jerusalem sikurse vaji i Adadremonit, në fushën e Magedos.

12 Mbarë vendi do të bëjë gjëmë, secila familje veçmas:

Familja e shtëpisë së Davidit veçmas

e gratë e tyre veçmas;

familja e shtëpisë së Natanit veçmas

e gratë e tyre veçmas;

13 familja e shtëpisë së Levit veçmas

e gratë e tyre veçmas;

familja e Semejit veçmas

e gratë e tyre veçmas;

14 të gjitha familjet e tjera,

çdo familje veçmas

e gratë e tyre veçmas.

Zakaria: 13. Personifikim i shpatës: populli i ri

13

1 Në atë ditë do të jetë kroi rrjedhës për shtëpinë e Davidit e për banorët e Jerusalemit për larje të mëkateve e të papastërtive. 2 Atë ditë do të ndodhë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ do t’ua zhduk emrat idhujve mbi tokë, s’do të përmenden më. Do t’i zhduk profetët e rremë dhe shpirtin e papastër përmbi tokë. 3 E do të ndodhë: kur ndokush të guxojë të profetojë, do t’i thotë i ati dhe e ëma, ata që e lindën: “Mos e paç jetën e gjatë, sepse fole rrena në emër të Zotit!” I ati dhe e ëma, ata që e lindën, do ta shporojnë pse profetizon. 4 Atë ditë çdo profet do të turpërohet për vegimin e vet; nuk do të mbulohen më me thes dhie për të rrejtur, 5 por do të thotë secili:’Nuk jam profet! Jam njeri që punoj tokën, sepse toka është prona ime që prej rinisë sime.’ 6 Atëherë do t’i thonë: “Nga këto varrë në duar të tua?” Do të përgjigjë: “U plagosa në shtëpi të miqve!”

Personifikim i shpatës: populli i ri

7 Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim,

kundër njeriut që e kam të afërm

‑ thotë Zoti i Ushtrive.

Godite bariun që të shpërndahen delet,

do ta çoj dorën kundër të vegjëlve.

8 Atëherë do të ndodhë mbi mbarë tokën

‑ thotë Zoti:

dy të tretat e saja do të shpërndahen,

do të mbarojnë;

veç një e treta do t’i lihet.

9 Nëpër zjarr do ta kaloj këtë të tretë,

do ta pastroj siç pastrohet argjendi,

do ta sprovoj si sprovohet ari:

ai do të ma thërras emrin

e unë do ta dëgjoj.

Unë do të them: “Ai është populli im!”

e ai do të thotë: “Zoti është Hyji im!”

Zakaria: 14. Lufta eskatologjike: shkëlqimi i Jerusalemit

14

1 Ja, po vjen një ditë për Zotin: do të

ndahen plaçkat e tua në mesin tënd! 2 Tok do t’i bashkoj të gjitha kombet për të luftuar kundër Jerusalemit. Qyteti do të merret, shtëpitë do të shkretohen e gratë do të dhunohen! Gjysma e qytetit do të shkojë në skllavëri, pjesa tjetër nuk do të nxirret nga qyteti.

3 Atëherë Zoti do të dalë e do të luftojë kundër këtyre kombeve si di Ai të luftojë në ditën e luftimit. 4 Këmbët e tija atë ditë do të qëndrojnë mbi Malin e Ullinjve që është përballë Jerusalemit në lindje. Mali i Ullinjve do të ndahet dysh: një pjesë në lindje e një pjesë në perëndim. Do të trajtohet një luginë e thellë shumë: njëra pjesë do të mbajë në veri e tjetra në jug. 5 Ju do të ikni në luginën e këtyre maleve, sepse lugina e maleve do të arrijë deri në Jasol; do të ikni sikurse ikët nga tërmeti në ditët e Ozisë, mbretit të Judës. Atëherë do të vijë Zoti, Hyji im, e me të të gjithë shenjtërit.

6 Do të ndodhë: atë ditë nuk do të ketë dritë, por të ftohtë e akull. 7 E do të jetë një ditë e veçuar ‑ këtë e di Zoti ‑ as ditë as natë; në mbrëmje do të ndriçojë drita!

8 Do të ndodhë: atë ditë do të pëlcasin ujërat e gjalla në Jerusalem: gjysma e tyre do të derdhen në Detin e Lindjes e gjysma e tyre në Detin e Perëndimit: kështu do të jetë verës e dimrit! 9 Atëherë Zoti do të jetë Mbreti i mbarë tokës: atë ditë do të jetë një Zot i vetëm e një i vetëm do të jetë Emri i tij! 10 Mbarë toka do të bëhet e shkretë prej Gabës e deri në Remon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ngallitë e do të banohet në vendin e vet që prejDerës së Beniamit deri te Dera e Parë, deri te Dera e Këndeve, atëherë prej qytezës Hananeel deri në Shtrydhësit e mbretit. 11 Do të banohet në të e nuk do të ketë më mallkim, e Jerusalemi do të banohet në qetësi.

12 Dhe, ja, varra, me të cilën do t’i goditë Zoti të gjithë popujt që do të luftojnë kundër Jerusalemit: secilit do t’i kalbet mishi, ndërsa ende do të qëndrojnë në këmbë të veta; sytë do t’u kalben në birat e syve, në gojë do t’u kalbet gjuha. 13 Atë ditë Zoti do ta çojë një kryengritje të madhe ndër ta: njëri do t’ia kapë tjetrit dorën, njëri kundër tjetrit do të çojë dorë. 14 Edhe Juda do të luftojë në Jerusalem. Pasuritë e të gjitha kombeve përreth do të bashkohen: ar, argjend e petka në një sasi tejet të madhe.

15 Me plagë të tillë do të goditen kuajt, mushqit, gamilet, gomarët dhe të gjitha kafshët që do të gjenden në fushime.

16 Po edhe të gjithë që do të mbesin gjallë prej atyre kombeve që erdhën të luftojnë kundër Jerusalemit, vit për vit do të ngjiten për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive e për të festuar të kremten e Tendave. 17 E do të ndodhë: në qoftë se ndonjë fis i tokës nuk do të ngjitet në Jerusalem për ta adhuruar Mbretin, Zotin e Ushtrive, shi mbi ta s’do të bjerë. 18 Po në qoftë se as fisi i Egjiptit nuk do të ngjitet e nuk do të vijë, do ta gjejë po ai frushkull me të cilin Zoti do t’i godasë kombet që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave. 19 I tillë do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për të gjithë popujt që nuk do të ngjiten për ta kremtuar festën e Tendave.

20 Atë ditë do të jetë mbi cingaret e kuajve e shkruar:’I kushtuar Zotit’; e në Shtëpinë e Zotit do të jenë kusi porsi kupat e flijimit para lterit. 21 Madje çdo kusi në Jerusalem e në Judë do të jetë e kushtuar Zotit të Ushtrive. Të gjithë ata që do të duan të kushtojnë do të vijnë e do të marrin sosh e do të zijnë në to. Atë ditë nuk do të ketë më tregtar në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive.”