Jozuehu: 1. Grishja për të kaluar në Tokën e premtuar

1

1 Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehin, birin e Nunit e shërbëtorin e Moisiut, dhe i tha: 2 ”Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Çohu, pra, e kaloje tani Jordanin, ti e mbarë populli me ty, për në tokën që unë do t’ua jap bijve të Izraelit. 3 Çdo vend që do ta shkelë shputa e këmbës suaj, jua dorëzova siç i kam thënë Moisiut. 4 Prej shkretëtirës e prej Libanit e deri në lumin e madh, Eufratin, mbarë toka e hetenjve deri te deti i Madh ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. 5 Askush s’do të mund të të qëndrojë përballë në të gjitha ditët e jetës sate: sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty; s’do të të lë e askurrë nuk do të të braktis”.

Besnikëria ndaj Ligjit, arsye për të pasur ndihmën hyjnore

6 “Ji burrë i fortë dhe ki guxim, sepse ti do t’ia ndash me short këtij populli tokën, për të cilën iu përbetova etërve të tij se do t’ua jap. 7 Veçse ji burrë i fortë e ki shumë guxim që të ruash e të bësh gjithçka sipas ligjit që të urdhëroi shërbëtori im Moisiu. Mos iu shmang as djathtas as majtas që të shkojë për së mbari gjithçka që të ndërmarrësh. 8 Libri i këtij Ligji të mos hiqet kurrë prej gojës sate, por kujtoje me mendje ditë e natë, që të zbatosh e të kryesh pikë për pikë gjithçka është shkruar në të: vetëm atëherë do të marrin fund me nder udhët e tua e do të kesh sukses. 9 Pse a nuk të kam urdhëruar: ‘Ti vetëm ji burrë i fortë e ki guxim! Mos u tremb as mos ki frikë, sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua’”?

Ardhja e fiseve të Transjordanisë

10 Atëherë Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e tha: “Përshkojeni ja e urdhëroni popullit e thoni: 11 Bëni gati për vete ushqime, sepse pas tri ditësh do ta kaloni Jordanin për ta marrë për pronë tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë”.

12 Kurse rubenasve, gadasve dhe gjysmës së fisit të Manaseut u tha: 13 “Mos e qitni në harresë urdhrin që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha: ‘Zoti, Hyji juaj, ju dha pushim e jua dorëzoi këtë vend’. 14 Gratë tuaja, fëmijët e bagëtitë le të qëndrojnë në tokën përtej Jordanit, që jua dha Moisiu. Kurse ju, të gjithë sa janë të aftë për armë, të armatosur, duhet të kaloni para vëllezërve tuaj për t’u ndihmuar, 15 derisa Zoti t’u japë të pushojnë edhe vëllezërit tuaj siç ju dha juve e derisa ta marrin për pronë edhe ata tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’ua japë. Atëherë do të mund të ktheheni në tokën e trashëgimit tuaj e do të banoni në të, në tokën që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit, në lindje të diellit.”

16 Ata iu përgjigjën Jozuehut e thanë: “Do të bëjmë gjithçka na ke urdhëruar e do të shkojmë kudo të na dërgosh. 17 Siç e dëgjuam për gjithçka Moisiun, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Porse, e paç Zotin, Hyjin tënd, me ty siç e pati Moisiu. 18 Kushdo që të mos dëgjojë urdhrin tënd e t’i përbuzë fjalët e tua e të mos i dëgjojë urdhrat, le të vritet! Ti veç, ji burrë i fortë e guximtar”!

Jozuehu: 2. Hetuesit e Jozuehit në Jerik

2

1 Jozuehu, biri i Nunit, i dërgoi fshehtazi prej Setimit dy hetues dhe u tha: “Shkoni dhe vëreni mirë tokën dhe qytetin Jerik”. Këta shkuan e hynë në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë dhe aty bujtën. 2 E lajmëruan mbretin e Jerikut e thanë: “Ja, arritën mbrëmë disa njerëz prej bijve të Izraelit për të marrë hetime mbi vendin”. 3 Atëherë mbreti i Jerikut dërgoi t’i thonë Rahabës: “Qiti jashtë njerëzit që erdhën te ti dhe hynë në shtëpinë tënde; sepse janë spiunë dhe erdhën të marrin hetime mbi vendin”.

4 Gruaja atëherë mori e i fshehu njerëzit. Atyre iu përgjigj: “Është e vërtetë se erdhën tek unë, por unë nuk dija se nga ishin. 5 Kur në mug të natës po mbylleshin dyert e qytetit, njerëzit dolën e nuk di nga ia mbajtën. Ndiqni me nxitim se do t’i zini”. 6 Por ajo i ngjiti njerëzit lart në tarracën e shtëpisë së vet, i mbuloi me kashtë liri që ishte aty. 7 Të dërguarit e mbretit u vunë t’i kërkonin udhës që shpie në shtratin e Jordanit. Kur dolën ndjekësit jashtë qytetit dera e qytetit u mbyll.

Besa ndërmjet Rahabës e hetuesve

8 Ende pa i zënë gjumi hetuesit, kur ja, u ngjit gruaja tek ata dhe u tha: 9 “E di se Zoti jua ka dorëzuar vendin, sepse frika juaj na ka hyrë të gjithë banorëve në eshtra dhe të gjithë banorët e këtij vendi i ka lëshuar zemra prej frikës suaj. 10 Sepse kemi dëgjuar që Zoti e ka tharë Detin e Kuq posa keni hyrë brenda, kur patët dalë prej Egjiptit. Dëgjuam edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amorrenjve që ishin përtej Jordanit: Sehonit e Ogut, të cilët i vratë. 11 Kur i dëgjuam të gjitha këto, u trembëm për së tepërmi, na lëshoi zemra dhe askush s’guxon as të marrë frymë para jush, sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyj atje lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë. 12 Tani, pra, m’u betoni për Zotin se edhe ju do të dëftoni dhimbje për shtëpinë e atit tim, siç u dëftova edhe vetë e mëshirshme me ju dhe ma jepni besën e fortë 13 se do të m’i lini gjallë babain, nënën, vëllezërit e motrat e të gjithë të tyret dhe se do të na e shpëtoni jetën prej vdekjes”. 14 Ata iu përgjigjën: “Peng le të jetë jeta jonë për ju, vetëm mos na tradhto. Kur të na e dorëzojë Zoti vendin, do të dëftojmë dhembje për ty e do ta mbajmë besën”.

15 Ajo atëherë me anë të litarit i lëshoi për dritareje. Shtëpia e saj ishte ngjitur për muri dhe jetonte kapur për murin rrethues. 16 Ajo edhe u tha: “Mësyni malet që të mos ndesheni në ndjekës, dhe atje fshihuni për tri ditë derisa ata të kthehen në qytet. Ju atëherë ndiqni rrugën tuaj”. 17 Hetuesit i thanë: “Ne do të jemi të lirë prej këtij përbetimi që kërkove ta bëjmë, nëse nuk do të plotësohet ky kusht: 18 nëse, kur të hyjmë ne në vend, shenjë do të jetë ky litar ngjyrë gjaku: lidhe në dritaren nëpër të cilën na lëshove dhe babë, nënë, vëllezër e mbarë farefisin tënd bashkoji në Shtëpinë tënde. 19 Kush të dalë jashtë derës sate, gjaku i tij le të bjerë mbi kokë të tij, ne do të jemi të pafajshëm, kurse gjaku i secilit që të jetë me ty në shtëpi, nëse i prek kush, le të bjerë mbi kokën tonë. 20 Por nëse ti do të zbulosh punën tonë, ne do të jemi të lirë nga kjo besë që kërkove prej nesh”. 21 Ajo iu përgjigj: “Na qoftë sikurse thatë”! Atëherë i la të shkojnë dhe e vari litarin e kuq në dritare.

Kthimi i hetuesve

22 Ata çanë e shkuan në malësi dhe qëndruan atje tri ditë, derisa të ktheheshin ata që u kishin vënë ndjekjen. Ata i kërkuan udhës gjithkund, por nuk i gjetën. 23 Këta të dy u kthyen: zbritën prej maleve dhe, si e kaluan Jordanin, arritën te Jozuehu, biri i Nunit, dhe i treguan gjithçka u kishte ndodhur. 24 Pastaj shtuan: “Mbarë tokën na e lëshoi Zoti në dorë; mbarë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika jonë”.

Jozuehu: 3. Parapërgatitjet për kalim

3

1 Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e lëshoi zemërimiën. E lëshuan Setimin e arritën tek Jordani, ai e të gjithë bijtë e Izraelit. Zunë vend aty para se të kalojnë. 2 Si kaluan tri ditë, krerët ranë përmes zemërimiës 3 e i urdhëruan popullit: “Kur ta shihni Arkën e Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, dhe priftërinjtë levitë duke e mbartur, ngrihuni edhe ju dhe shkoni pas saj 4 ‑ndërmjet saj dhe jush le të jetë një largësi afërsisht rreth dy mijë kute dhe ruaj se i afroheni ‑ që të dini cilës rrugë u duhet të shkoni, sepse asaj rruge nuk keni kaluar askurrë”. 5 Edhe Jozuehu i tha popullit: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë në mesin tuaj mrekulli”. 6 Kurse priftërinjve u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes e prini popullit”! Ata e morën Arkën dhe u nisën para popullit.

Udhëzimet e fundit

7 Zoti i tha Jozuehut: “Sot po filloj të të lartësoj para syve të mbarë Izraelit që ta dinë se, siç isha me Moisiun, ashtu jam edhe me ty. 8 Ti urdhëroju priftërinjve që mbartin Arkën e Besëlidhjes dhe thuaju: ‘Kur të arrini në buzë të ujit të Jordanit, zini vend në Jordan’”.

9 Atëherë Jozuehu u tha izraelitëve: “Afrohuni këtu e dëgjojini fjalët e Zotit, Hyjit tuaj”. 10 Pastaj vazhdoi: “Me këtë do ta dini se Hyji i gjallë është në mesin tuaj, se do ta shpërndajë para syve tuaj Kananeun, Heteun, Heveun, Ferezeun, Gergezeun e me të edhe Amorreun dhe Jebuzeun! 11 Ja, Arka e Zotëruesit të mbarë tokës, do t’ju prijë përmes Jordanit. 12 Bëni gati dymbëdhjetë burra prej fiseve të Izraelit, nga një prej secilit fis. 13 Kur t’i shtien në ujë këmbët e veta priftërinjtë që mbartin Arkën e Zotit, Hyjit të mbarë dheut, në ujin e Jordanit, ujërat që janë më poshtë do të rrjedhin, kurse ujërat që rrjedhin prej lart, do të ndalen si pritë”.

Kalimi i lumit

14 U nis, pra, populli prej çadrave të veta për të kaluar Jordanin e priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, ecnin para tij. 15 Arritën deri te Jordani dhe, posa i lagën këmbët në ujin e buzës së tij ‑ ishte koha e të korrave kur Jordani prej ujit të madh gati i vërshon brigjet e veta ‑ 16 u ndalën ujërat që rridhnin prej së larti e që larg u bënë si pritë, që prej qytetit të Adamit që është afër Sartanit, kurse ato të poshtmet rrodhën në Detin e Arabës, që është Deti i Vdekur, derisa shteruan krejtësisht. 17 Populli vazhdonte drejt Jerikut, kurse priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, qëndronin në këmbë mbi truallin e terur në mes të Jordanit, përderisa nuk e kaloi mbarë Izraeli Jordanin nëpër shtrat të thatë të lumit.

Jozuehu: 4. Dymbëdhjetë gurët përkujtues

4

1 Pasi e kaluan Jordanin, Zoti i tha Jozuehut:

2 “Merrini dymbëdhjetë burra, nga një për çdo fis 3 dhe urdhërojuni: Merrini prej këtu, prej mesit të Jordanit, prej vendit ku qëndruan ngulur këmbët e priftërinjve, dymbëdhjetë gurë. Merrini me vete dhe vini në vendin e fushimit ku do t’i ngulni sonte tendat”.

4 Atëherë Jozuehu i thirri dymbëdhjetë burrat, që i kishte zgjedhur prej bijve të Izraelit nga një për çdo fis, 5 dhe u tha: “Shkoni para Arkës së Zotit, Hyjit tuaj, në mes të Jordanit dhe merrni secili në krah nga një gur, sipas numrit të fiseve të Izraelit 6 që të jenë shenjë ndër ju. Kur t’ju pyesin nesër fëmijët tuaj e t’ju thonë: “Çka ju përkujtojnë këta gurë?’, 7 përgjigjuni: ‘U shterr uji i Jordanit para Arkës së Zotit kur e kaloi atë. Prandaj u vunë këta gurë si përmendore e përjetshme për bijtë e Izraelit”.

8 Bijtë e Izraelit bënë siç u urdhëroi Jozuehu: i morën prej mesit të shtratit të Jordanit dymbëdhjetë gurë, siç i kishte urdhëruar Zoti, sipas numrit të fiseve të Izraelit, i çuan deri në vendin ku bënë fushimin, dhe i vendosën aty. 9 Pastaj Jozuehu vendosi edhe dymbëdhjetë gurë të tjerë në mes të shtratit të Jordanit, ku qëndruan priftërinjtë që mbartën Arkën e Besëlidhjes. Aty ndodhen deri në ditën e sotme.

Përfundimi i kalimit

10 Priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, qëndronin në këmbë në mes të Jordanit derisa të zbatohej gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Jozuehut t’i thoshte popullit, krejtësisht ashtu siç i kishte thënë Moisiu Jozuehut. Populli shpejtoi e kaloi. 11 Kur kaluan të gjithë, kaloi edhe Arka e Zotit. Priftërinjtë ecnin në krye të popullit. 12 Po edhe bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut, të armatosur, ecnin para izraelitëve, siç u kishte urdhëruar Moisiu. 13 Rreth dyzet mijë luftëtarë të gatshëm për luftë kaluan në praninë e Zotit në drejtim të fushave të Jerikut.

14 Në këtë ditë Zoti e madhëroi Jozuehun në sy të izraelitëve, që ta nderonin atë ashtu si e nderuan Moisiun gjatë gjithë jetës së tyre.

15 E Zoti i tha: 16 “Urdhëroju priftërinjve që e mbartin Arkën e Dëshmisë, të dalin nga Jordani”. 17 E Jozuehu u urdhëroi: “Dilni prej Jordanit”! 18 Dhe, posa priftërinjtë, që mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani, dhe posa zunë të shkelin me këmbë tokën e terur, ujërat u kthyen në shtratin e vet të lumit dhe rrodhën si më parë përmbi brigjet e tija.

Arritja në Galgalë

19 Populli doli prej Jordanit ditën e dhjetë të muajit të parë dhe e nguli zemërimiën në Galgalë, në krahun e lindjes të Jerikut. 20 Po edhe dymbëdhjetë gurët që i morën prej shtratit të Jordanit, Jozuehu i vendosi në Galgalë.

21 Atëherë u tha izraelitëve: “Kur t’i pyesin nesër bijtë tuaj etërit e vet e t’u thonë: ‘Ç’do të thonë këta gurë?’, 22 mësoni e thoniu: ‘Izraeli e ka kaluar këtu Jordanin terikut, 23 sepse Zoti, Hyji juaj, i thau ujërat e tij para jush derisa e kaluat, 24 siç pati bërë më parë në Detin e Kuq, që e thau para nesh derisa e kaluam. 25 Bëri kështu që ta njohin popujt e mbarë tokës dorën e fuqishme të Zotit dhe që ju ta druani në çdo kohë Zotin, Hyjin tuaj”.

Jozuehu: 5. Tmerri i popujve në perëndim të Jordanit

5

1 Kur morën vesh të gjithë mbretërit e amorrenjve, që jetonin përtej Jordanit, në anën e perëndimit, dhe mbarë mbretërit e Kanaanit, që zotëronin vendet e afërta të Detit të Madh, se Zoti e kishte tharë ujin e Jordanit para izraelitëve derisa ta kalonin, i lëshoi krejtësisht zemra dhe mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve.

Rrethprerja e izraelitëve në Galgalë

2 Aso kohe Zoti i tha Jozuehut: “Puno thika stralli dhe rrethprej përsëri herën e dytë bijtë e Izraelit!” 3 Jozuehu bëri si i urdhëroi Zoti dhe, në malin e Zhangave, i rrethpreu bijtë e Izraelit.

4 Ja arsyeja e rrethprerjes së dytë: i gjithë populli që kishte dalë prej Egjiptit, sa qenë meshkuj, të gjithë burrat luftëtarë, vdiqën gjatë udhëtimit në shkretëtirë. 5 Të gjithë kishin qenë të rrethprerë. Kurse populli që kishte lindur në shkretëtirë, ishte i parrethprerë. 6 Për dyzet vjet bijtë e Izraelit udhëtonin derisa u zhdukën të gjithë burrat luftëtarë, që nuk e kishin dëgjuar zërin e Zotit dhe të cilëve u përbetua se nuk do t’ua dëftonte tokën për të cilën u ishte betuar etërve të tyre se do t’ua jepte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. 7 Në vendin e tyre erdhën bijtë e tyre dhe këta i rrethpreu Jozuehu, sepse ishin siç kishin lindur, të parrethprerë, pasi askush nuk i kishte rrethprerë gjatë udhëtimit. 8 Pasi qenë rrethprerë të gjithë, u ndalën në zemërimië derisa të shëroheshin.

9 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit”. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë.

Kremtimi i Pashkëve

10 Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerikut dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. 11 Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. 12 Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.

3. PUSHTIMI I JERIKUT

Zbulesë hyjnore

13 Kur ishte Jozuehu në rrethinën e Jerikut, ngriti sytë dhe pa një njeri që po i qëndronte përballë me shpatë të nxjerrë prej millit në dorë. Jezuehu iu afrua dhe e pyeti: “A je yni apo i kundërshtarëve?”. 14 Ai iu përgjigj: “Jo, unë jam Prijësi i ushtrisë së Zotit dhe arrita tani... ”. 15 Jozuehu ra me fytyrë përdhe, e adhuroi dhe tha: “Çfarë i urdhëron Imzoti shërbëtorit të vet”? 16 Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: “Hiqi sandalet prej këmbëve të tua; sepse vendi në të cilin qëndron, është i shenjtë”. Jozuehu bëri siç i qe urdhëruar.

Jozuehu: 6. Pushtimi i Jerikut

6

1 Jeriku ishte i fortifikuar dhe i mbyllur për bijtë e Izraelit. Askush s’guxonte as të dilte, as të hynte.

2 Zoti i tha Jozuehut: “Ja, ta lëshova në dorë Jerikun dhe mbretin e tij e të gjithë luftëtarët e tij. 3 Silluni të gjithë luftëtarët një herë në ditë rreth qytetit: kështu bëni për gjashtë ditë. 4 Shtatë priftërinj le t’i mbartin shtatë bori‑ brirë deshësh para Arkës së Besëlidhjes. Por, të shtatën ditë silluni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë le t’u bien borive. 5 Kur të jehojë zëri më i gjatë i borisë, dhe posa ta dëgjoni zërin e borisë, mbarë populli le të lëshojë britma të thekshme kushtrimi dhe atëherë muret e qytetit do të shemben përdhe deri në themel: atëherë le të hyjë secili nëpër atë vend përballë të cilit të ketë ndodhur”.

6 Atëherë Jozuehu i Nunit i thirri priftërinjtë dhe u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të tjerë le t’i marrin shtatë boritë dhe të ecin para Arkës së Zotit”. 7 Kurse popullit i tha: “Nisuni e silluni rreth qytetit. Burrat e armatosur le të shkojnë para Arkës së Zotit”.

8 Posa i kreu fjalët Jozuehu, shtatë priftërinj të nisën t’u bien shtatë borive para Arkës së Besëlidhjes së Zotit. 9 Mbarë ushtria e armatosur shkonte para priftërinjve që u binin borive, kurse mbarë vegjëlia tjetër shkonin pas Arkës: ndërkaq jehonte zëri i borive. 10 Porse Jozuehu i kishte dhënë urdhër popullit: “Mos bërtitni dhe, as të mos ju dëgjohet zëri dhe të mos dalë asnjë fjalë prej gojës suaj derisa të vijë dita. Atëherë do t’ju them: Bërtitni e jepni kushtrimin”! 11 U soll, pra, Arka e Zotit në pikë të ditës rreth qytetit dhe u kthyen në ja, ku e kaluan natën.

12 Jozuehu u çua herët në mëngjes, priftërinjtë e morën Arkën e Zotit 13 edhe shtatë të tjerë prej tyre i morën shtatë boritë ‑ brirë deshësh, dhe shkonin përpara Arkës së Zotit, ecnin dhe u binin borive, kurse populli i armatosur shkonte para tyre, populli tjetër shkonte pas Arkës e ndërkaq boritë binin. 14 Edhe ditën e dytë iu sollën rreth qytetit një herë dhe u kthyen në ja. Kështu vepruan për gjashtë ditë.

15 Të shtatën ditë u çuan herët, me të zbardhur të dritës, në të njëjtën mënyrë u sollën rreth qytetit shtatë herë; vetëm atë ditë u sollën rreth qytetit shtatë herë. 16 E kur në rrethsjelljen e shtatë priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i klithi popullit: “Jepni kushtrimin! Zoti jua lëshoi në dorë qytetin! 17 Qyteti me gjithçka ka në të le të jetë i ngarkuar me “mallkim” për nder të Zotit. Le të mbetet gjallë vetëm Rahaba lavire me të gjithë ata që janë në shtëpinë e saj: sepse ajo i fshehu hetuesit që i patëm dërguar! 18 Porse ju, ruhuni mirë të mos merrni ndonjë gjë të ngarkuar me “mallkim” e të bëheni shkaktarë që të ngarkohet me “mallkim” edhe zemërimia e Izraelit e t’i sillni fatkeqësi. 19 Sa të ketë ar e argjend dhe enë bronzi ose hekuri, le t’i kushtohen Zotit e le të ruhen në thesarin e tij”.

20 E atëherë krisi kushtrimi i luftës prej mbarë popullit, jehuan boritë! Kur jehoi zëri i borive, u dëgjua kushtrimi i popullit, ranë muret përdhe! Atëherë secili prej vendit ku ndodhi, u nis drejt e në qytet dhe e morën qytetin. 21 Vranë gjithçka ishte në qytet: trim e grua, foshnjë e plak; me teh të shpatës prenë deri edhe qe, dele e gomarë!

Kursehet shtëpia e Rahabës

22 Dy burrave që qenë dërguar për të hetuar vendin, Jozuehu u tha: “Hyni në shtëpinë e gruas lavire e nxirreni jashtë atë dhe për sa i përket asaj veproni sikur i keni pasë dhënë besën”.

23 Djelmoshat hynë dhe e qitën jashtë Rahabën, prindërit e saj, po ashtu edhe vëllezërit, e gjithçka i takonte dhe të afërmit e saj e i vendosën jashtë ja së izraelitëve. 24 Atëherë e dogjën qytetin me gjithçka kishte në të me përjashtim të argjendit, të arit e të enëve prej bronzi ose hekuri, të cilat i vendosën në thesarin e Shtëpisë së Zotit. 25 Rahabës lavire dhe shtëpisë së saj me gjithçka kishte, Jozuehu ia fali jetën, sepse i kishte fshehur hetuesit që i pat dërguar Jozuehu për të bërë hetime për Jerikun. Ajo banoi në mes të Izraelit deri në ditën e sotme.

Mallkohet ai që do të guxojë ta rindërtojë Jerikun

Asokohe Jozuehu lëshoi këtë nëmë: 26 ”Qoftë mallkuar para Zotit ai njeri që do të guxojë të ngrihet për ta rindërtuar qytetin e Jerikut! Mbi djalin e madh i shtiftë themelet e mbi më të voglin e vëntë derën e tij”!

27 Zoti ishte me Jozuehun dhe zëri i mirë për të u hap në mbarë vendin.

Jozuehu: 7. Prishja e mallkimit

7

1 Por bijtë e Izraelit shkelën urdhrin dhe shpërdoruan ngarkimin “me mallkim”: sepse Akan Karmi Zabdi Zareja, prej fisit të Judës, mori diçka që ishte e ngarkuar “me mallkim”. Zoti u hidhërua kundër bijve të Izraelit.

Dështim para Hajit, ndëshkimi i shenjtdhunimit

2 Prej Jerikut Jozuehu i dërgoi disa vetë në Haj, që është afër Betavenit, në krahun e lindjes së Betelit. U tha: “Shkoni e bëni hetime vendit”. Ata shkuan dhe i bënë hetime Hajit. 3 Kur u kthyen, i thanë: “S’është nevoja të ngjitet atje mbarë populli. Le të shkojnë dy ose tri mijë luftëtarë e ta pushtojnë qytetin. Mos e mundo mbarë popullin kundër një pakice armiqsh.” 4 Shkuan, pra, rreth tri mijë luftëtarë, por këta menjëherë u vunë në të ikur prej luftëtarëve të Hajit, 5 të cilët edhe i vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre dhe i dëbuan prej derës së qytetit deri në Sabarim, dhe i goditën në të zbritur. Atëherë popullin e lëshoi zemra, si t’u ishte bërë gjaku ujë.

Lutja e Jozuehut

6 Atëherë Jozuehu i shqeu petkat e veta, ra me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit e qëndroi ashtu deri në mbrëmje, ai e të gjithë krerët e Izraelit, duke qitur hi në krye. 7 Jozuehu tha: “Eheu, o Zot Hyj, pse deshe ta kalosh këtë popull përtej lumit Jordan? A mos për të na lëshuar në duar të Amorreut e për të na e humbur farën? Oh sikur të kishim zënë vend përtej Jordanit! 8 Të lutem, o Zot, çfarë mund të them kur po shoh se Izraeli ia ka kthyer shpinën armikut? 9 Do të dëgjojnë kananenjtë dhe mbarë banorët e vendit e do të bashkohen, do të na rrethojnë e do ta zhdukin emrin tonë prej tokës. E çfarë do të bësh atëherë ti, për nder të emrit tënd”?!

Përgjigjja e Zotit

10 Zoti iu përgjigj Jozuehut: “Ngrihu! Përse rri përmbys me fytyrë përdhe? 11 Izraeli ka mëkatuar: e ka shkelur besëlidhjen time që ua urdhërova: morën nga ato që qenë ngarkuar “me mallkim”, rrejtën, vodhën dhe i fshehën në enë të veta! 12 E bijtë e Izraelit as që do të mund të qëndrojnë para armiqëve të vet dhe do të ikin prej tyre, sepse edhe ata janë bërë “mallkim”. As vetë nuk do të jem më me ju derisa të mos e hiqni prej mesit tuaj mallkimin. 13 Në këmbë! Shenjtëroje popullin! Thuaju: Shenjtërohuni për ditën e nesërme, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Në mesin tënd, o Izrael, është mallkimi! Nuk do të mund të qëndrosh përballë armikut përderisa ta hiqni mallkimin prej mesit tuaj. 14 Afrohuni nesër secili sipas fisit të vet. Fisi që ta ketë shënuar Zoti, le të afrohet sipas vëllazërive të veta; vëllazëria që ta ketë shënuar Zoti, le të afrohet sipas familjeve të veta e familja sipas meshkujve të vet: 15 e cilido që të gjendet se e ka bërë këtë të keqe, le të digjet në zjarr me gjithçka ka, sepse e ka thyer besën e Zotit dhe e ka bërë këtë shëmtim në Izrael”.

Zbulimi dhe ndëshkimi i fajtorit

16 Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e grishi Izraelin të afrohej sipas fiseve. Shorti ra mbi fisin e Judës. 17 E kur u afrua ky fis sipas familjeve të tija, shorti ra mbi familjen e Zaresë. Bëri të afrohen shtëpitë e Zaresë, shorti ra mbi shtëpinë e Zabdiut. 18 Kur i ndau meshkujt e kësaj shtëpie, shorti ra mbi Akanin, birin e Karmi, Zabdi Zaresë, i fisit të Judës. 19 Atëherë Jozuehu i tha Akanit: “Biri im, jepi lavdi Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe prano e më trego çfarë ke bërë! Mos fsheh gjë!” 20 E Akani iu përgjigj Jozuehut dhe i tha: “Vërtetë unë mëkatova kundër Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe ja çfarë bëra: 21 Pashë në pre një mantel shumë të bukur Senaari, edhe dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari pesëdhjetë siklash. I shtyrë prej lakmimit, i mora dhe i fsheha në dhe, në mes të çadrës sime; argjendin e futa nën të”.

22 Atëherë Jozuehu i dërgoi lajmëtarët, të cilët duke vrapuar, shkuan në tendën e tij dhe i gjetën të gjitha ato të fshehura në të njëjtin vend së bashku me argjendin. 23 I morën prej tendës dhe i sollën te Jozuehu e te të gjithë bijtë e Izraelit. I shtruan të gjitha para Zotit.

24 Atëherë Jozuehu e mori Akanin, birin e Zaresë, argjendin, petkun dhe shufrën e arit, bijtë e bijat e tija, lopë e gomarë e dele, çadrën e tij e me gjithçka kishte të tijën ‑ mbarë Izraeli ishte me të ‑ dhe i çuan në luginën Akor. 25 Aty Jozuehu i tha: “Si na e solle të mbrapshtën ti neve, ashtu sot edhe ty Zoti ta sjelltë të mbrapshtën”!

Mbarë Izraeli e mbyti me gurë. Po edhe gjithçka ja e tij, e përpiu zjarri. 26 Atëherë hodhën mbi të një grumbull të madh gurësh, që mbetet deri në ditën e sotme. Kështu u largua hidhërimi i madh i Zotit prej tyre. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Lugina e Akorit.

Jozuehu: 8. Urdhri dhënë Jozuehut

8

1 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Mos u tremb e mos e birr guximin! Merre me vete mbarë ushtrinë e luftëtarëve! Ngrihu e shko kundër Hajit! Ja, e lëshova në dorën tënde mbretin e tij, popullin, qytetin e tokën e tij! 2 bëj me qytetin e Hajit dhe me mbretin e tij, siç bëre me Jerikun dhe me mbretin e tij. Porse prenë e të gjitha kafshët merrni për vete. Vër pusi prapa qytetit”!

Manovrimi i Jozuehut

3 Jozuehu dhe të gjithë të aftit për luftë u bënë gati për ta sulmuar Hajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i dërgoi natën 4 me këtë urdhër: “Zini pusinë prapa qytetit, por jo fort larg tij, dhe rrini gati të gjithë. 5 Kurse unë dhe mbarë populli tjetër me mua do t’i afrohemi qytetit përballë. Kur të dalin ata kundër nesh, si herën tjetër, do t’ua kthejmë shpinën e do të vihemi në ikje, 6 derisa, duke na ndjekur, të largohen prej qytetit: do të mendojnë se ne po ikim si herën e parë. 7 Kështu, ndërsa ne të ikim e ata të na ndjekin, ju dilni prej pusisë dhe pushtojeni qytetin: Zoti, Hyji juaj, do t’jua lëshojë në dorë. 8 Kur ta keni pushtuar, digjeni: veproni sipas urdhrit të Zotit! Ky është urdhri im”! 9 I lëshoi dhe ata shkuan në vendin e pusisë e zunë vend ndërmjet Betelit e Hajit, në krah të perëndimit të qytetit Haj. Jozuehu atë natë e kaloi mes popullit.

10 Të nesërmen u ngrit herët në mëngjes, e numëroi popullin dhe bashkë me krerët u nis në krye të ushtrisë. 11 Me të u ngjitën të gjithë luftëtarët. Kur iu afruan qytetit, zunë vend në krahun e veriut të qytetit. Ndërmjet kishin një rrafshinë. 12 Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra dhe i vendosi në pusi ndërmjet Betelit e Hajit, në anën e perëndimit të qytetit të Hajit. 13 Populli nguli fushimin në anën e veriut të qytetit dhe prapavija e fundit ishte në anën e perëndimit të tij. Jozuehu atë natë e kaloi në mes të fushës.

Beteja e Hajit

14 Kur e pa këtë mbreti i Hajit, në mëngjes herët nxitoi e doli prej qytetit me tërë ushtrinë e qytetit e i drejtoi aradhet në drejtim të Arabës dhe nuk dinte se pas shpine e kishte pusinë. 15 Kurse Jozuehu e mbarë Izraeli e lëshuan vendin dhe, duke u shtirur se po trembeshin, morën ikjen udhës që shpie në shkretëtirë. 16 U bashkua mbarë populli që ishte në qytet për t’i ndjekur, dhe u vu për t’i ndjekur. Kur u larguan prej qytetit 17 e, pasi nuk mbeti asnjë në qytet, në Haj, që nuk iu vu pas Izraelit, dhe, si e lanë qytetin me dyer të hapura, 18 Zoti i tha Jozuehut: “Ngrije heshtën që ke në dorë, kundër qytetit të Hajit, sepse ta lëshova në dorë”!

19 Kur ngriti Jozuehu heshtën në drejtim të qytetit, pritat që ishin në pusi u ngritën dhe menjëherë vrapuan edhe e pushtuan qytetin e, pa vonuar, i dhanë zjarrin.

20 Njerëzit e qytetit që po ndiqnin Jozuehun, kur u kthyen panë se tymi i qytetit po ngrihej deri në qiell. Atëherë s’ditën nga t’ia mbanin, sidomos atëherë kur ata që kishin bërë sikur po zmbrapsen prej frikës e po merrnin në drejtim të shkretëtirës, u kthyen kundër ndjekësve. 21 Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se ishte marrë qyteti dhe po ngrihej tymi i tij, u kthyen dhe i sulmuan njerëzit e Hajit. 22 Po ashtu edhe ata që kishin pushtuar dhe ndezur qytetin, dolën prej qytetit kundër tyre në sulm dhe kështu armiqtë i shtinë në mes. E kështu të rrethuar nga të dy anët, i vranë të gjithë dhe s’shpëtoi asnjë as duke ikur prej tërë asaj shumice. 23 Mbretin e qytetit të Hajit e zunë gjallë dhe ia sollën Jozuehut.

24 Kështu, pra, pasi u vranë të gjithë banorët e Hajit, që e kishin ndjekur Izraelin që po ikte në drejtim të shkretëtirës, dhe pasi aty i prenë me shpatë, atëherë bijtë e Izraelit u kthyen në qytet dhe me tehun e shpatës i prenë të gjithë ata që ndodheshin në qytet.

25 Të vrarët e asaj dite, burra e gra, ishin dymbëdhjetë mijë njerëz ‑ të gjithë prej qytetit të Hajit.

Shfarosja dhe rrënimi

26 Jozuehu nuk e uli dorën, të cilën e pat ngritur duke shtrënguar heshtën, derisa u vranë të gjithë banorët e Hajit. 27 Vetëm bagëtitë dhe prenë e këtij qyteti bijtë e Izraelit i ndanë ndër vete sikurse Zoti i kishte dhënë urdhër Jozuehut. 28 Atëherë Jozuehu e dogji qytetin dhe e bëri rrënojë të përhershme, vend të shkretëruar deri në ditën e sotme. 29 Mbretin e Hajit e vari në një lis deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit, Jozuehu dha urdhër të zbritet kufoma e tij prej lisit. Kufomën ia hodhën në hyrje të derës së qytetit, mbi të qitën një grumbull të madh gurësh, që është edhe sot e kësaj dite.

5. FLIA DHE LEXIMI I LIGJIT MBI MALIN HEBAL

Lteri me gurë të palatuar

30 Me këtë rast Jozuehu për nder të Zotit, Hyjit të Izraelit, ndërtoi një lter mbi malin Hebal, 31 ashtu si u kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, bijve të Izraelit dhe sikur është shkruar në Librin e Ligjit të Moisiut: lter prej gurësh të palatuar, të paprekur me hekur. Mbi të i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe therore paqeje.

Leximi i Ligjit

32 Aty Jozuehu shkroi mbi gurë një dysheritje të Ligjit të Moisiut, që ai e kishte pasë shkruar në praninë e bijve të Izraelit.

33 Mbarë populli, të parët e tyre, udhëheqës e gjykatës, të ardhur e vendës, qëndruan në këmbë në të dy anët e Arkës në praninë e priftërinjve levitë, që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit: njëra gjysmë përballë malit Garizim, e tjetra përballë malit Hebal, siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, për ta bekuar së pari popullin e Izraelit. 34 Atëherë Jozuehu i lexoi të gjitha fjalët e Ligjit ‑ bekimin e mallkimin ‑ krejt ashtu siç ishin të shkruara në librin e Ligjit. 35 Jozuehu s’la pa lexuar asnjë prej fjalëve që kishte urdhëruar Moisiu, por i lexoi të gjitha në kuvendin e dheut të mbarë Izraelit, ku ishin gratë e fëmijët e të ardhurit që banonin ndër ta.

Jozuehu: 9. Lidhje mbretërish kundër Izraelit

9

1 Kur dëgjuan për këto që ndodhën, mbarë mbretërit që banonin përtej Jordanit, në malësi, në Sefelë, përgjatë mbarë bregut të Detit të Madh, si dhe ata që banonin deri në Liban: Heteu, Amorreu, Kananeu, Ferezeu, Heveu dhe Jebuzeu, 2 bënë marrëveshje të sulmonin të gjithë së bashku dhe njëkohësisht Jozuehun e Izraelin.

Dinakëria e banorëve të Gabaonit

3 Kurse banorët e Gabaonit, kur morën vesh për gjithë ç’u kishte bërë Jozuehu Jerikut e Hajit, 4 sajuan një dredhi: morën për vete ushqime e çka lypet për udhëtim, ngarkuan në gomarë thasë të vjetër, rrëshiqa vere të vjetër, të shqyer e të arnuar, 5 sandale të vjetra, që ishin të mbështjella me arna që të dukeshin të vjetra, u veshën me petka të vjetra. Po edhe bukën që e morën për shtegtim, e morën të fortë dhe të bërë copa‑copa.

6 Shkuan te Jozuehu që tani gjendej me zemërimië në Galgalë. I thanë atij dhe mbarë Izraelit së bashku: “Po vijmë prej një dheu të largët me qëllim që të bëjmë marrëveshje me ju”. Burrat e Izraelit iu përgjigjën hevenjve: 7 ”Ruajuni se mos banoni ndoshta në mesin tonë? Si do të mund të bëjmë atëherë besëlidhje me ju”? 8 Ata i thanë Jozuehut: “Jemi shërbë‑ torët e tu”! Jozuehu i pyeti: “Kush jeni edhe nga vini”? 9 Ata u përgjigjën: “Shërbëtorët e tu erdhën prej një vendi shumë të largët në emër të Zotit, Hyjit tënd. Sepse e dëgjuam zërin e mirë të pushtetit të tij: gjithçka bëri në Egjipt 10 si dhe çfarë u bëri dy mbretërve amorrenj përtej Jordanit, Sehonit, mbretit të Hesebonit, dhe Ogut, mbretit të Basanit, që ishte në Astarot. 11 ‘Po edhe të parët tanë dhe mbarë populli i vendit tonë na thanë: ‘Merrni me vete ushqime për rrugë, dilni përpara tyre e u thoni: Jemi shërbëtorët tuaj, bëni me ne besëlidhje’. 12 Ja, buka: kur dolëm nga shtëpitë tona për të ardhur tek ju, ishte e nxehtë! E tani, sepse është e moçme, është tharë e copëtuar. 13 Rrëshiqat e verës ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, janë shqyer e grisur. Po edhe petkat e sandalet tona, me të cilat jemi veshur e mbathur, për shkak të udhës tepër të gjatë, janë të grisura e të copëtuara”. 14 Njerëzit atëherë u besuan e morën prej ushqimeve të tyre, por nuk e këshilluan Zotin.

15 Jozuehu bëri paqe me ta dhe, pasi lidhën besëlidhjen, u premtoi se do t’i lërë në jetë; po edhe prijësit e bashkësisë, u betuan.

16 Porse tri ditë pasi bënë besëlidhjen, morën vesh se jetonin afër, madje në mesin e tyre. 17 Atëherë Izraeli çoi nga ja dhe të tretën ditë arriti në qytetet e tyre. Ato quhen kështu: Gabaon, Kafirë, Berot dhe Kariatiarim. 18 Izraelitët nuk i vranë, sepse u ishin betuar krerët e bashkësisë në emër të Zotit, Hyjit të Izraelit. Porse mbarë bashkësia u ankua kundër krerëve.

Statusi i banorëve të Gabaonit

19 Krerët iu përgjigjën bashkësisë: “Ua kemi dhënë besën në emër të Zotit, Hyjit të Izraelit, e prandaj s’kemi se si t’i prekim. 20 Por, kështu do të bëjmë me ta: do t’i lëmë gjallë që të mos ndizet kundër nesh hidhërimi i Zotit, nëse e thyejmë përbetimin; 21 por kështu le të jetojnë: le të presin dru e le të mbartin ujë për mbarë bashkësinë!”

Pasi folën krerët kështu, 22 Jozuehu i thirri gabaonasit e u tha: “Pse deshët të na gënjenit me dhelpëri kur na thatë: ‘Banojmë shumë larg prej jush’, e jetoni në mesin tonë? 23 Kështu, pra, mbi ju do të mbesë nëma dhe kurrë nuk do t’ju hiqet skllavëria: do të jeni druprerës dhe ujëmbartës për Shtëpinë e Hyjit tim”.

24 Ata iu përgjigjën: “Na qe lajmëruar neve, shërbëtorëve të tu, se Zoti, Hyji yt, i kishte caktuar Moisiut, shërbëtorit të vet, se do t’jua dorëzojë juve krejt vendin dhe se do t’i zhdukë të gjithë banorët e vendit. Kështu, pra, na kapi frikë e madhe për jetën tonë, u trembëm tepër prej jush, prandaj edhe bëmë kështu. 25 Tani, pra, jemi në dorë tënde: bëj me ne si të ta marrë mendja se është mirë dhe e drejtë”.

26 Jozuehu bëri me ta si kishte thënë: i liroi nga duart e izraelitëve që të mos i vrasin 27 dhe po atë ditë urdhëroi që të vihen në shërbim të mbarë popullit e të lterit të Zotit në atë vend që Zoti ta ketë zgjedhur si druprerës e ujëmbartës deri në kohën e tashme.

Jozuehu: 10. Pesë mbretër fillojnë luftën kundër Gabaonit

10

1 Kur mori vesh Adonisedeku, mbreti i Jerusalemit, se Jozuehu e kishte shkatërruar Hajin ‑ siç ia kishte bërë Jerikut dhe mbretit të tij, po ashtu ia bëri edhe Hajit e mbretit të tij ‑ dhe se gabaonasit kishin bërë paqe me izraelitët dhe tashmë ishin bashkuar me ta, 2 e kapi tmerr i madh. E njëmend, Gabaoni ishte qytet i madh, si një ndër qytetet mbretërore, më i madh se Haji, dhe burrat e tij trima shumë të fortë, 3 prandaj Adonisedeku, mbreti i Jerusalemit, çoi lajmëtarë tek Ohami, mbreti i Hebronit, te Farami, mbreti i Jerimotit, tek Jafjai, mbreti i Lakisit dhe te Dabiri, mbreti i Eglonit. U tha: 4 ”Ejani tek unë e më ndihmoni ta shpartallojmë Gabaonin, sepse bëri paqe me Jozuehun dhe me izraelitët. 5 Si u bashkuan, pra, pesë mbretërit amorrenj ‑ mbreti i Jerusalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jerimotit, mbreti i Lakisit, mbreti i Eglonit u ngjitën së bashku me ushtritë e tyre, ngulën fushimin përballë Gabaonit për ta luftuar.

Jozuehu i vjen në ndihmë Gabaonit

6 Tashti gabaonasit dërguan tek Jozuehu, që tani gjendej në ja pranë Galgalës, dhe i thanë: “Mos hiq dorë t’i ndihmosh shërbëtorët e tu! Hiq e eja sa më parë, na shpëto e na eja në ndihmë: sepse janë bashkuar kundër nesh të gjithë mbretërit amorenj që banojnë në Malësi.”

7 U nis Jozuehu prej Galgalës e me të të gjithë luftëtarët ‑ njëri më trim se tjetri! 8 Zoti i tha Jozuehut: “Aspak mos i druaj! Të gjithë t’i kam lëshuar në dorë! Asnjëri prej tyre s’do të mund të të bëjë ballë”!

9 Jozuehu u sul mbi ta papritmas pasi kishte udhëtuar prej Galgalës gjithë natën e lume.

Ndihma prej së larti

10 Zoti lëshoi pështjellim mes tyre posa e panë Izraelin që i shpartalloi duke u bërë dëme të shumta në Gabaon. I ndoqi udhës që shpie përpjetë drejt Betoronit dhe i vrau deri në Azekë e në Macedë. 11 Ndërsa po iknin prej bijve të Izraelit dhe gjendeshin në teposhten e Betoronit, Zoti flaku mbi ta gurë të mëdhenj prej qiellit deri në Azekë dhe mbetën të vrarë shumë më shumë prej breshrit të gurëve se prej shpatës së bijve të Izraelit.

12 Atëherë, po atë ditë, kur Zoti ia dorëzoi Amorreun në sy të bijve të Izraelit, Jozuehu iu drejtua Zotit e para bijve të Izraelit tha me zë të lartë:

“Ndalu, o diell, mbi Gabaonin,

e ti, o hënë, mbi luginën Ajalon”!

13 U ndal dielli edhe hëna,

derisa populli iu hakmor armiqëve të vet.

Pse, a nuk shkruan në librin e të Drejtit? “Zuri vend dielli në mes të qiellit e s’u ngut të perëndojë gati për një ditë të tërë.

14 Dhe as më parë as pas nuk pati një ditë tjetër porsi ajo, në të cilën Zoti të dëgjojë zërin e një njeriu, sepse Zoti luftoi për Izraelin”.

15 Pastaj Jozuehu së bashku me të gjithë izraelitët u kthye në zemërimië në Galgalë.

Pesë mbretërit në shpellën Maceda

16 Porse pesë mbretërit kishin ikur dhe ishin fshehur në shpellën e qytetit Macedë. 17 E lajmëruan Jozuehun se ishin gjetur të fshehur pesë mbretërit në shpellën e qytetit të Macedës. 18 Jozuehi dha urdhër: “Rrotulloni gurë të mëdhenj në grykën e shpellës dhe vini njerëz t’i ruajnë të fshehurit”. 19 Por ju mos zini vend, veçse ndiqni armiqtë, suljuni prapavijës e vritini: mos lejoni që të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Hyji juaj, i la në duar tuaja”.

20 Pasi i vranë armiqtë dhe i zhdukën deri në shfarosje ‑ shpëtuan një pakicë që u strehuan në qytete të fortifikuara ‑ 21 mbarë ushtria e Izraelit u kthye shëndoshë e mirë në llogor në Macedë tek Jozuehu. Askush më s’guxoi as të fliste kundër bijve të Izraelit.

22 Atëherë Jozuehu dha urdhër: “Hapeni grykën e shpellës dhe m’i nxirrni pesë mbretërit që fshihen në të”. 23 Ashtu bënë: i nxorën pesë mbretërit prej shpellës e i sollën para tij: mbretin e Jerusalemit, mbretin e Hebronit, mbretin e Jerimotit, mbretin e Lakisit, mbretin e Eglonit. 24 Pasi u nxorën para tij, i grishi të gjithë trimat e Izraelit dhe u tha prijësve ushtarakë që ishin me të: “Afrohuni dhe vini këmbët në qafën e këtyre mbretërve”! Pasi u afruan këta dhe i vunë këmbët mbi zverkun e tyre, 25 përsëri u tha: “Mos u trembni as mos kini frikë! Merrni zemër e kini guxim! Kështu do t’ua bëjë Zoti të gjithë armiqëve tuaj, kundër të cilëve do të luftoni”!

26 Pastaj Jozuehu i goditi dhe i vrau. I vari në pesë lisa. Qëndruan të varur deri në mbrëmje. 27 Kur po perëndonte dielli, Jozuehu dha urdhër të uleshin prej lisave. Si u ulën, i flakën në shpellë, ku ishin fshehur. Në grykën e saj rrotulluan gurë të mëdhenj: aty janë edhe sot.

Pushtimi i qyteteve jugore të Kanaanit

28 Po atë ditë Jozuehu e pushtoi edhe Macedën: e goditi qytetin me teh të shpatës, e vrau mbretin e saj dhe të gjithë banorët e saj e s’la të shpëtojë askush. Mbretit të Macedës ia bëri siç ia kishte bërë mbretit të Jerikut.

29 Pastaj Jozuehu me mbarë Izraelin shkoi prej Macedës në Lebnë dhe e sulmoi. 30Zoti e lëshoi qytetin dhe mbretin e tij në duar të Izraelit: e goditën qytetin me tehun e shpatës e me të të gjithë banorët. Nuk lanë gjallë asnjë për be dhe mbretit të Lebnës ia bënë siç ia patën bërë mbretit të Jerikut.

31 Prej Lebnës Jozuehu kaloi në Lakis me mbarë Izraelin: pasi e rrethoi me ushtri, nisi ta sulmojë. 32 Po edhe Lakisin Zoti ia lëshoi në dorë Izraelit, që e pushtoi të nesërmën. I preu me shpatë gjithsa ndodheshin në të, siç ia pat bërë Lebnës. 33 Asohere u ngrit mbreti i Gazerit, Horami, për t’i ndihmuar Lakisit: por Jozuehu e goditi me mbarë popullin e tij deri në shfarosje.

34 Prej Lakisit Jozuehu kaloi bashkë me mbarë Izraelin në Eglon, e rrethoi 35 dhe po atë ditë e pushtoi dhe me shpatë i preu gjithsa ishin në të, po ashtu siç bëri në Lakis.

36 Po ashtu me mbarë Izraelin u ngjit nga Egloni në Hebron dhe luftoi kundër tij. 37 E pushtoi edhe atë. Me teh të shpatës e goditi mbretin e tij, të gjitha fshatrat e banorët e tij që u gjetën aty: nuk u la asnjë shenjë: siç ia bëri Eglonit, po ashtu ia bëri edhe Hebronit: gjithçka gjeti në të, vuri nën shpatë.

38 Si u kthye me mbarë Izraelin prej andej, e sulmoi Dabirin. 39 E pushtoi edhe atë. Mbretin e fshatrat e tij i copëtoi me shpatë: s’la gjallë asnjë për be: siç ua kishte bërë Hebronit e Lebnës dhe mbretërve të tyre, po kështu ia bëri edhe Dabirit e mbretit të tij.

Përsëritje e pushtimit të Jugut

40 Kështu pra, Jozuehu e pushtoi mbarë atë vend: Malësitë, Nagebin, Sefelën dhe Rrafshin me mbretërit e tyre. Nuk la në to asnjë të gjallë që merrte frymë, por i vrau siç kishte urdhëruar Zoti, Hyji i Izraelit. 41 I vrau të gjithë prej Kadesbarnesë deri në Gazë, mbarë vendin Gosen deri në Gabaon. 42 Të gjithë mbretërit dhe krahinat e tyre i pushtoi me një sulm të rrufeshëm të vetëm: sepse Zoti, Hyji i Izraelit, luftonte për Izraelin.

43 Atëherë Jozuehu bashkë me mbarë Izraelin u kthye në ja në Galgalë.

Jozuehu: 11. Lidhja e mbretërve të Veriut kundër Izraelit

11

1 Kur mori vesh për këto gjëra Jabini, mbreti i Asorit, dërgoi kasnecë tek Jobabi, mbreti i Madonit, te mbreti i Semeronit, te mbreti i Aksafit, 2 po ashtu edhe te mbretërit e Veriut, që banonin në Malësi dhe në Arabë, në jug të Keneretit, edhe në Sefelë dhe në krahinat Dor, në bregun e detit; 3 te kananenjtë në lindje e në perëndim, tek amorrenjtë, hetenjtë, ferezenjtë e jebusenjtë në Malësi, po ashtu edhe te hevenjtë që banojnë në rrëzë të Hermonit, në tokën e Masfës.

4 Atëherë ata dolën të gjithë me mbarë ushtritë e tyre: një mori e madhe pa masë si rëra që është në bregun e detit, me një shumicë të madhe kuajsh e karrocash.

Fitorja në Merom

5 U bashkuan, pra, të gjithë këta mbretër dhe së bashku e ngulën fushimin tek ujërat Merom për të luftuar kundër Izraelit.

6 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Mos i druaj! Sepse nesër, mu në këtë orë, do t’i dëftoj të gjithë këta të vrarë para Izraelit. Preju kuajve të tyre dizgoret e karrocat digji me zjarr”.

7 Jozuehu me mbarë ushtrinë e vet u lëshua ja kundër tyre papritmas tek ujërat e Meromit dhe u sulën në ta. 8 E Zoti i lëshoi në duar të izraelitëve. Këta i vranë e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, në Maserefot në perëndim dhe deri në fushën e Masfës në lindje, Dhe aq shumë i vranë, saqë s’e lanë gjallë asnjë për be. 9 Bëri sikurse Zoti i kishte urdhëruar: kuajve të tyre ua preu dizgoret e karrocat i dogji.

Pushtimi i Azorit dhe i qyteteve të tjera të Veriut

10 Asokohe Jozuehu u kthye dhe e pushtoi Azorin. Mbretin e tij e preu me shpatë. Azori dikur kishte qenë kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive.

11 Vrau gjithçka ishte gjallë në të: asnjë s’e la gjallë as për be, por zhduki gjithçka deri në shfarosje e vet qytetin e shkatërroi me zjarr.

12 Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet përreth e i zuri mbretërit e tyre, i preu dhe i shkatërroi siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. 13 Megjithatë, Izraeli nuk i dogji qytetet që ishin të ndërtuara mbi kodra; të vetmin Azorin Jozuehu e dogji me zjarr. 14 Izraelitët prenë që kapën në këto qytete, dhe gjënë e gjallë e ndanë ndër vete, kurse të gjithë njerëzit i vranë, pa lënë gjallë asnjë.

Jozuehu zbaton urdhrin që ia kishte dhënë Moisiu

15 Siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut, shërbëtorit të vet, po ashtu Moisiu i urdhëroi Jozuehut. Jozuehu bëri ashtu. Nuk la pa kryer asgjë prej atyre që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

16 E kështu Jozuehu e pushtoi mbarë këtë vend: Malësinë, Nagebin, mbarë tokën Gosen, Sefelën e Arabën, Malësinë e Izraelit me vërrinë e saj. 17 Prej malit të Shogët që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baalgad, në fushën e Libanit nën bjeshkën e Hermonit; i zuri robër të gjithë mbretërit e tyre, i vrau e ua treti farën. 18 Jozuehu luftoi një kohë të gjatë kundër këtyre mbretërve. 19 Nuk pati asnjë qytet që të lidhte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Heveut që banonte në Gabaon: të gjitha i pushtoi me luftë. 20 E kishte thënë Zoti që të ngurtësoheshin zemrat e tyre e të luftonin kundër Izraelit, që të binin të vrarë e të mos meritonin kurrfarë mëshire e të shfaroseshin sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

Shfarosja e enacimëve

21 Në atë kohë erdhi Jozuehu dhe i shfarosi enacimët prej malit Hebron, Dabir, Anab e prej të gjitha maleve të Judës e të Izraelit dhe rrafshoi qytetet e tyre. 22 Nuk la asnjë enacim në tokën e bijve të Izraelit. Mbetën vetëm në Gazë, në Get e në Azoto. 23 Kështu pra, Jozuehu e pushtoi mbarë dheun, sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe ua dha për pronë bijve të Izraelit, sipas fiseve të tyre. Dhe vendi pushoi nga luftërat.

Jozuehu: 12. Mbretërit e mundur në lindje të Jordanit

12

1 Këta janë mbretërit që bijtë e Izraelit i mundën dhe ua pushtuan tokën përtej Jordanit, në lindje të diellit, që nga përroi Arnon deri në malin Hermon dhe mbarë krahinën lindore të Arabës.

2 Sehoni, mbreti i amorrenjve që banonte në Hesebon. Ai sundonte prej Aroerit, që është i ndërtuar në bregun e përroit Arnon, përmes fushës deri në gjysmën e Galaadit deri në përroin Jabok, i cili është kufi me bijtë e Amonit; 3 në lindje ishte Araba deri në detin e Keneretit e deri në Detin e Kripur në rrugë për krahinën e lindjes që shpie në Betiesimot e përtej në jug deri në rrëzë të Fazgës.

4 Me të kufizohej edhe Ogu, mbreti i Basanit, njëri prej rafaimëve të fundit. Banonte në Astarot e në Edrai. Sundonte malet e Hermonit, në Salekë e mbarë Basanin deri në kufijtë 5 e Gesurit e të Mahatit dhe gjysmën e Galaadit deri në kufi me Sehonin, mbretin e Hesebonit. 6 Moisiu, shërbëtori i Zotit, dhe izraelitët i kishin mundur. Tokën e tyre Moisiu ua dha për pronë rubenajve, gadajve dhe gjysmës së fisit të Manaseut.

Mbretërit e mundur në perëndim të Jordanit

7 Këta janë mbretërit e vendit që i mundi Jozuehu e bijtë e Izraelit, përtej Jordanit, në anën e perëndimit, prej Baalgadit në fushën e Libanit deri në Malin e Shogët që ngrihet drejt Seirit; këtë Jozuehu ua dha për pronë fiseve të Izraelit, secilit pjesën e vet, 8 në Malësi, në Sefelë, në Arabë, në rrafshnaltë, në shkretëtirë e në Nageb: Heteun, Amorreun, Kananeun, Ferezeun, Heveun e Jebuzeun:         9 mbreti i Jerikut, një;     mbreti i Hajit, afër Betelit, një,

10 mbreti i Jerusalemit, një;          mbreti i Hebronit, një;    

11 mbreti i Jerimotit, një;  mbreti i Lakisit, një;       

12 mbreti i Eglonit, një;                mbreti i Gazerit, një;

13 mbreti i Dabirit, një;                 mbreti i Gaderit, një;

14 mbreti i Hermës, një;               mbreti i Heredit, një;

15 mbreti i Lebnës, një;                mbreti i Odulamit, një;

16 mbreti i Macedës, një;             mbreti i Betelit, një;

17 mbreti i Tapfuasë, një; mbreti i Oferit, një;        

18 mbreti i Afekut, një;                 mbreti i Saronit, një;

19 mbreti i Madonit, një;               mbreti i Azorit, një;        

20 mbreti i Semeronit, një;           mbreti i Aksafit, një;      

21 mbreti i Tenakut, një;               mbreti i Magedos, një;

22 mbreti i Kadesit, një;               mbreti i Jeknaamit në Karmel, një;          

23 mbreti i Dorit në krahinën e Dorit, një; mbreti i popujve të Galgalës, një;  

24 mbreti i Tersës, një;

gjithsej mbretër: tridhjetë e një.

Jozuehu: 13. Vende për t’u pushtuar

13

1 Jozuehi ishte plakur në moshë të thellë. Atëherë Zoti i tha: “U plake dhe ke shkuar larg në moshë. E pra, toka që duhet pushtuar është shumë e madhe. 2 Ja, vendet që mbeten: mbarë Galileja ‑ toka e filistenjve e mbarë Gezuria, 3 prej lumit Sihor që është në lindje të Egjiptit, deri në kufij të Akaronit në veri ‑ toka e kananenjve, që ndahet në pesë principata filistenjsh: të Gazës, të Azotit, të Askalonit, të Getit, të Akaronit, e të Heveut 4 në jug; pastaj mbarë toka e Kanaanit prej Arës së sidonasve deri në Afekë e në kufijtë e Amorreut. 5 Pastaj toka e giblianëve dhe mbarë Libani në lindje, prej Baalgadit, nën malin Hermon deri në hyrje në Emat, 6 të gjithë që banojnë në Malësi prej Libanit e deri në Maserefot, në perëndim, edhe mbarë sidonasit. Unë jam ai që do t’i zhdukë ata para bijve të Izraelit. Prandaj ti shënoje këtë vend për pronë të izraelitëve dhe ndajua me short, siç të kam urdhëruar. 7 Prandaj, ndajua këtë vend me short për pronë nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manaseut”.

I. PËRSHKRIMI I FISEVE TRANSJORDANEZE

Vështrim i përgjithshëm

8 Së bashku me gjysmën e fisit të Manaseut Moisiu, shërbëtori i Zotit, ua dha fisit të Rubenit e të Gadit për pronë tokën përtej Jordanit, në krahun e lindjes. 9 Ajo ishte prej Aroerit, që gjendet në bregun e përroit Arnon, prej qytetit në mes të luginës, mbarë rrafshnalta Medabë deri në Dibon. 10 Po ashtu të gjitha qytetet e mbretit të amorrenjve, Sehonit, që sundonte në Hesebon, deri në kufijtë e Amonit. 11 Edhe Galaadi e territori i Gesuriut dhe i Makatiut me mbarë bjeshkët e Hermonit si dhe krejt Basanin deri në Salekë ‑ 12 mbarë mbretërinë e Ogut në Basan, i cili mbretëroi në Astarot e në Edrai ‑ ishte i sprasmi refaimasi i fundit ‑ këta i sulmoi dhe i shfarosi Moisiu. 13 Porse bijtë e Izraelit nuk i kishin dëbuar gesuritët as makatitët, por banuan në mes të bijve të Izraelit deri në ditët tona.

14 Vetëm fisit të Levit nuk i kishte caktuar pronë: sepse flitë e Zotit, Hyjit të Izraelit, janë trashëgimi i tij ashtu si i kishte thënë Zoti.

Fisi i Rubenit

15 Kështu pra, Moisiu i dha fisit të bijve të Rubenit pronën sipas vëllazërive të tija. 16 Ata morën për pronë tokën prej Aroerit, që është në bregun e përroit Arnon, dhe prej qytetit që është në mes të luginës së të njëjtit përrua si dhe mbarë rrafshin deri në Medabë, 17 Hesebonin dhe të gjitha fshatrat e tij që gjenden në rrafsh: Diboni, Bamotbaali, Betbaalmaoni, 18 Jasa, Cedimoti, Mefaati, 19 Kariataimi, Sabama, Saratasahari në male përmbi luginën, 20 Betfegori dhe pjerrësinat e Fazgës e të Betiesimotit 21 si dhe të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe mbarë mbretërinë e Sehonit, mbretit të amorrenjve, që sundoi në Hesebon. Këtë e mundi Moisiu si dhe princat e Madianit: Eviun, Recemin, Surin, Hurin, Rebeun, që ishin prijësit e ushtrisë së Sehonit, banorë të vendit. 22 Bijtë e Izraelit e vranë me shpatë bashkë me të tjerë të vrarë, edhe Balaamin, të birin e Beorit, shortarin. 23 Si kufi i pronës së bijve të Rubenit u caktua lumi Jordan. Kjo është prona e bijve të Rubenit sipas vëllazërive të tyre, qytetet me fshatrat e tyre.

Fisi i Gadit

24 Pastaj Moisiu i dha për pronë fisit të Gadit ‑ gadasve pjesët sipas vëllazërive të tyre. 25 Pjesa e tyre është: Jaseri e qytetet mbarë të Galaadit si dhe gjysma e tokës së bijve të Amonit deri në Aroer, që është përballë Rabës. 26 Po ashtu prej Hesebonit deri në Ramotmasfë e në Betonim dhe prej Mahanaimit deri në kufijtë e Lodabarit; 27 dhe në luginën e Betaranit, Betnemrës, Sukotit e të Safonit, pjesa tjetër e mbretërisë së Sehonit, mbretit të Hesebonit; Jordani ishte kufi deri në skajin e detit Keneret, në anën e lindjes të Jordanit.

28 Kjo është prona e të bijve të Gadit sipas vëllazërive të tyre: qytetet dhe fshatrat e tyre.

Gjysma e fisit të Manaseut

29 Moisiu i dha edhe gjysmës së fisit të bijve të Manaseut sipas vëllazërive të tyre për pronë: 30 Manaseut: prej Mahanaimit mbarë Basanin, mbarë mbretërinë e Ogut, mbretit të Basanit, të gjitha fshatrat e Jairit, që janë në Basan ‑ gjashtëdhjetë qyteza. 31 Edhe gjysmën e Galaadit, Astarotit e të Edrait, qytete të mbretërisë së Ogut në Basan, u qenë dhënë bijve të Mahirit, të birit të Manaseut, gjysmës së bijve të Mahirit, sipas vëllazërive të tyre.

32 Këtë pronë e ndau Moisiu në rrafshnaltën e Moabit, përtej Jordanit, përballë Jerikut, në anën e lindjes. 33 Fisit të Levit nuk i dha pronë, sepse Zoti, Hyji i Izraelit, është trashëgimi i tij, siç i ka thënë ai vetë.

Jozuehu: 14. Tri fiset e mëdha në perendim te Jordanit

14

1 Kurse ky është trashëgimi që morën bijtë e Izraelit në tokën e Kanaanit, të cilën ua ndanë Eleazari, prift, Jozuehu, i biri i Nunit, dhe krerët e vëllazërive të fiseve të Izraelit. 2 Ata të gjitha i ndanë me short, siç kishte urdhëruar Zoti përmes Moisiut, nëntë fiseve e gjysmës së fisit. 3 Dy fiseve e gjysmë Moisiu ua pat dhënë trashëgimin përtej Jordanit, me përjashtim të levitëve, të cilëve nuk u dha asgjë ndër vëllezër të vet. 4 Porse bijtë e Jozefit janë të ndarë në dy fise: në atë të Manaseut e të Efraimit, kurse levitët nuk morën tjetër pjesë nga toka, përveç qytetet për të banuar dhe kullotat përreth tyre për të mbajtur bagëtinë, gjënë e gjallë të tyre. 5 Bijtë e Izraelit vepruan si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut dhe e ndanë tokën.

Pjesa e Kalebit

6 Bijtë e Judës, asohere, u paraqitën tek Jozuehu në Galgalë dhe Kalebi, biri i Jefoneut, cenezeas, i tha: “Ti e di mirë çka i tha Zoti Moisiut, njeriut të Hyjit, për mua e për ty në Kadesbarne. 7 Dyzetvjeçar isha unë, kur prej Kadesbarnesë më dërgoi Moisiu, shërbëtori i Zotit, t’i bëja hetime vendit. Unë atëherë i lajmërova ç’m’u duk se ishte e vërtetë. 8 Kurse vëllezërit e mi, që u ngjitën bashkë me mua, ia shtinë frikën popullit në zemër, megjithatë, unë vendosa të kryeja vullnetin e Zotit, Hyjit tim. 9 Atë ditë Moisiu u përbetua e tha: ‘Toka që e shkeli këmba jote, do të jetë prona jote dhe e fëmijëve të tu për amshim, sepse e kreve vullnetin e Zotit, Hyjit tim’. 10 Dhe, ja, Zoti ma ruajti jetën, siç premtoi, deri në ditën e sotme. Dyzet e pesë vjet janë që kur Zoti ia tha këtë fjalë Moisiut, derisa Izraeli ende shtegtonte nëpër shkretëtirë; e unë sot kam tetëdhjetë e pesë vjet, 11 dhe jam shëndoshë si në atë kohë kur qeshë dërguar të bëja hetime. Forca e atyre ditëve edhe sot e kësaj dite qëndron në mua qoftë për të luftuar, dhe qoftë për të hyrë e për të dalë. 12 M’i jep, pra, këto male që m’i premtoi Zoti atë ditë, si dëgjove edhe ti vetë. Aty banojnë enacimët. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara. Nëse do të jetë Zoti me mua, do të mund t’i shpartalloj, siç më ka premtuar”.

13 Atëherë Jozuehu e bekoi dhe ia dha për pronë Hebronin. 14 Kështu Hebroni prej aso dite u bë prona e Kalebit të Jefoneut, cenezeasit, deri më sot, sepse kishte ndjekur i vendosur vullnetin e Zotit, Hyjit të Izraelit. 15 Hebroni më parë quhej Kariatarbe /d. m. th. qyteti i Arbeut/. Arbeu kishte qenë njeriu më i madh ndër enacimët.

Pastaj vendi nuk pati më luftë.

Jozuehu: 15. Fisi i Judës

15

1 Shorti i fisit të bijve të Judës sipas vëllazërive, qe ky: në anën e kufirit të Edomit drejt shkretëtirës Sin, përballë Nagebit, deri në skajin e fundit të jugut. 2 Kufiri i tyre i jugut shkonte nga maja e Detit të Kripur e prej gjiut të tij që ka në jug. 3 Del pastaj përballë përpjetës Akrabim, kalon në Sin dhe në mesditë ngjitet në Kadesbarne, mbërrin në Esron, ngjitet në Adas e kthen në Karkë. 4 Prej këndej duke përshkuar Asemonën, mbërrin te përroi i Egjiptit e del së fundi në Detin e Madh: ky është kufiri juaj i jugut. 5 Në lindje kufi është Deti i Kripur deri ku derdhet Jordani. Kufiri i veriut fillon nga gjiri i detit e derdhja e Jordanit. 6 Prej këtu kufiri ngjitej drejt Betaglës, vazhdon në veri të Betarabës, kapej te Guri Boen, të birit të Rubenit, 7 ngjitej në Dabir nga lugina Akor dhe bënte bërryl kundër veriut te Galiloti ‑ domethënë rrethet ‑, që janë përballë përpjetës Adomim, që është në jug të përroit, kalon ujërat që quhen Burimi i Diellit dhe mbaron te burimi Rogel. 8 Prej këndej ngjitej nëpër luginën Benenom, në anë të Jebuseut ‑ që është Jerusalemi ‑ në jug. Nga këtu ngjitej drejt e në majë të malit që është përballë luginës Enon në anën e perëndimit e në skajin e fundit të veriut të luginës së Rafaimit. 9 Kalon prej majës së malit deri te burimi i ujit Neftoja e mbërrin deri te fshatrat e malit Efron e zbret në Baalë, që është Kariatiarimi. 10 Prej Baalës kthen kundër perëndimit deri te mali Seir, kah veriu kalon përbri krahut të malit Jarim ‑ d. m. th. Keslonit ‑ dhe zbret në Betsames, kalon në Tamnë 11 dhe mbërrin në anën veriore të Akaronit, zbret në Sekron dhe e kalon malin Baalë, mbërrin në Jebneel e merr fund në det. Kufiri perëndimor është Deti i Madh.

12 Këta janë kufijtë rreth tokës së bijvet të Judës sipas vëllazërive të tija.

Bijtë e Kalebit e pushtojnë Hebronin

13 Kalebit, të birit Jefoneut i dha pjesë në mes të bijve të Judës, siç i urdhëroi Zoti Jozuehut në Kariatarbe /d. m. th. qyteti i Arbeut/, trungut të Enakut, e ky është Hebroni. 14 Kalebi i zhduku tre bijtë e Enakut: Sesain, Ahimanin e Tolmain, pasardhësit e Enakut. 15 Prej andej u ngjit kundër banorëve të Dabirit, që më parë quhej Kariatsefer /d. m. th. Qyteti i Letrarëve/. 16 Kalebi tha: “Kush ta godasë Kariatseferin e ta pushtojë, unë do t’i jap time bijë, Aksën, për grua.” 17 E pushtoi Otonieli, djali i Cenezit, të vëllait të Kalebit. Edhe Kalebi i dha vajzën e vet Aksën për grua. 18 Kjo, kur u martua, ia mbushi mendjen burrit të vet, t’i kërkojë t’et një arë. Ajo zbriti nga gomari e Kalebi e pyeti: “Çfarë ke”? 19 Atëherë ajo iu përgjigj: “Më beko! Ti më dhe Negebin e thatë, ma shto ndonjë tokë me ujë”. Atëherë Kalebi i dha Burimet e sipërme e të poshtme.

20 Kjo qe toka e fisit të bijve të Judës sipas vëllazërive të tija.

Toponimet e vendbanimit të fisit të Judës

21 Qytetet në pronat skajore të bijve të Judës gjatë kufirit të Edomit në Nageb, ishin:

Kapseeli, Ederi e Jaguri, 22 Cina, Dimona e Adada, 23 Kadesi, Asori, Jetnani, 24 Zifi, Telemi, Baloti, 25 Asorhadata, Karioti, Hesroni ‑ d. m. th. Asori ‑ 26 Amami, Sama, Molada, 27 Asergada, Hasemoni, Betfeleti, 28 Asersuali, Bersabeeja, Baziotia, 29 Baala, Jimi, Esemi, 30 Eltoladi, Cezili e Harma, 31 Sicelegu, Medemena, Sensena, 32 Lebaoti, Selimi dhe Enremoni: gjithsej: njëzet e nëntë qytete me fshatrat e tyre.

33 Kurse në Vërri:

Estaoli, Saraa, Asena, 34 Zanoeja, Enganimi, Tapfua, Enaimi, 35 Jerimoti, Adulami, Sokoja, Azeka, 36 Saraimi, Aditaimi, Gedera, Gedero‑ taimi: katërmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

37 Sanani, Hadasa, Magdalgadi, 38 Deleani, Masfa, Jeceteli, 39 Lakisi, Baskati, Egloni, 40 Keboni, Lehemasi, Cetlisi, 41 Gideroti, Betdagoni, Naama, Maceda: gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre:

42 Labana, Eteri, Asani, 43 Jefta, Esna, Nesibi, 44 Cejla, Akzibi, Maresa; nëntë qytete me fshatrat e tyre.

45 Akaroni me qyteza e fshatra të tij. 46 Prej Akaronit deri në det, gjithçka gjendet përbri Azotit me fshatrat e tij. 47 Azoti me qyteza e me fshatra të tij, Gaza me qyteza e fshatra të saj deri në përroin e Egjiptit e në Detin e Madh, që është kufiri.

48 Në Malësi:

Samiri, Jeteri, Sokoja, 49 Dana, Kariatsena ‑ d. m. th. Dabiri, 50 Anabi, Estemoja, Animi, 51 Goseni, Oloni, Giloja: njëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

52 Arabi, Duma, Esaani, 53 Janumi, Bettafua, Afeka, 54 Amata, Kariatarbeja ‑d. m. th. Hebroni‑, Siori: nëntë qytete me fshatrat e tyre.

55 Maoni, Karmeli, Zifi, Jota, 56 Jezraeli, Jukadami, Zanoeja, 57 Akaini, Gabaa, Tamna: dhjetë qytete me fshatrat e tyre.

58 Halhuli, Betsuri, Gedori, 59 Mareti, Betanoti, Eltekoni: gjashtë qytete me fshatrat e tyre.

Tekueja, Efrata, ‑d. m. th. Betlehemi‑, Fegori, Etami, Kuloni, Tatami, Soresi, Karemi, Galimi, Beteri, Manahati: njëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

60 Kariatbaali ‑ d. m. th. Kariatiarimi /Qyteti i Pyjeve/ ‑ dhe Areba: dy qytete me fshatrat e tyre.

61 Në Shkretëtirë:

Betaraba, Medini, Sakaka, 62 Nebsani, Qyteti Salis e Engadi: gjashtë qytete dhe fshatrat e tyre.

63 Bijtë e Judës nuk mund i dëbuan jebusenjtë që jetonin në Jerusalem. Kështu jebusenjtë banojnë së bashku me bijtë e Judës në Jerusalem deri në ditën e sotme.

Jozuehu: 16. Fisi i Efraimit

16

1 Me short u ra bijve të Jozefit toka

prej Jordanit përballë Jerikut, tek ujërat e tij në lindje, shkretëtira që ngjitet prej Jerikut në malin e Betelit 2 dhe del nga Betel Luzi e kalon nëpër kufi të arakitëve në Atarot 3 dhe zbret në perëndim në kufi të Jefletit deri në kufi të Betoronit të Poshtëm dhe të Gazerit. Tokat e tyre marrin fund me Detin e Madh. 4 Bijtë e Jozefit, Manaseu dhe Efraimi, i morën këto për trashëgimin e vet.

5 Pjesa e trashëgimit të bijve të Efraimit, sipas vëllazërive të tyre, ishte: kufiri i pronës së tyre në krahun e lindjes shkonte prej Atarotadarit deri në Betoronin e Sipërm. 6 Prej këndej shtrihej deri në det, prej Makmetatit merrte në veri e pastaj sillej në lindje në Tanatselon e përshkon prej lindjes në Janoe. 7 Prej Janoesë zbret në Atarot e në Naaratë dhe arrin në Jerik dhe prek në Jordan. 8 Prej Tapfuasë kufiri kalonte në perëndim në përruan Kana e dilte në det: kjo është prona e fisit të bijve të Efraimit sipas vëllazërive të tija. 9 Bijtë e Efraimit i kishin të gjitha këto qytete me fshatrat e tyre si edhe disa qytete të ndara në mes të pronës së bijve të Manaseut.

10 Bijtë e Efraimit nuk i vranë kananenjtë që banonin në Gazer. Kananenjtë banuan në mes të Efraimajve deri në ditën e sotme si robër pune.

Jozuehu: 17. Fisi i Manaseut

17

1 Me short i ra pjesa edhe fisit të Manaseut ‑ ky është i parëlinduri i Jozefit ‑ Makirit, të parëlindurit të Manaseut, babait të Galaadit ‑ që ishte luftëtar i shquar, i ra për pronë Galaadi e Basani. 2 E morën pjesën e tyre edhe bijtë e tjerë të Manaseut sipas familjeve të tyre: bijtë e Abiezerit, bijtë e Helekut, bijtë e Esrielit, bijtë e Sekemit, bijtë e Heferit e bijtë e Semidait: këta janë bijtë e Manaseut, të birit të Jozefit, meshkujt sipas vëllazërive të tyre.

3 Porse Salfaadi, i biri i Heferit, të birit të Galaadit, të birit të Mahirit, të birit të Manaseut, nuk kishte djem, por vetëm vajza. Ato quheshin: Maala, Noa, Hegla, Melka e Tersa. 4 Ato u paraqitën tek Eleazari prift, tek Jozuehu, biri i Nunit, dhe te prijësit. Thanë: “Zoti nëpër gojë të Moisiut dha urdhër të na jepet edhe neve ndër vëllezër tanë prona. Edhe Jozuehu, sipas urdhrit të Zotit, u dha pjesë ndër vëllezërit e babait të tyre. 5 Kështu i takoi Manaseut të marrë dhjetë pjesë, përveç tokës Galaad e Basan përtej Jordanit. 6 Sepse bijat e Manaseut morën pjesë në trashëgim porsi djemtë.

Kurse toka e Galaadit u ra me short të bijve të tjerë të Manaseut.

7 Kufiri i Manaseut nisej prej Aserit në Makmetat, që është përballë Sikemit, dhe kalon në anën e djathtë në Jasib afër burimit Tapfua. 8 Sepse me short i ra Manaseut toka Tapfua; kurse vetë Tapfuaja, që është në kufi të Manaseut, u ra bijve të Efraimit. 9 Pastaj kufiri bie në përruan Kana. Në jug të përroit, janë qytetet e Efraimit mes qyteteve të Manaseut. Kufiri i Manaseut është në anën e veriut të përroit dhe shkon e del në det. 10 Kështu toka e Efraimit është në jug, kurse e Manaseut në veri, dhe për kufi kanë detin. Në veri kufizoheshin me fisin e Aserit e në lindje me fisin e Isaharit. 11 Por Manaseu pati pjesë edhe në fisin e Isaharit e të Aserit; kishte: Betsanin e fshatrat e tij, Jeblaamin dhe fshatrat e tij; kështu edhe banorët e Dorit me fshatrat e tyre, po edhe banorët e Endorit me fshatrat e tij; po ashtu edhe banorët e Tanakut me fshatrat e tij, edhe banorët e Magedos me fshatrat e tij. Edhe një të tretën e krahinës Nofet.

12 Porse bijtë e Manaseut nuk ia dolën t’i pushtonin këto qytete, por në këtë vend qëndruan kananenjtë. 13 Vetëm kur izraelitët u bënë të fortë, i shtrënguan kananenjtë për angari e nuk i dëbuan nga toka.

Bijtë e Jozefit depërtojnë në pyje

14 Bijtë e Jozefit folën me Jozuehun dhe i thanë: “Pse më dhe si pronë vetëm një short, kurse e sheh se jam popull i shumtë dhe se Zoti më ka bekuar”? 15 Jozuehu iu përgjigj: “Pasi je popull i madh, ngjitu në pyje, çili rrah e bëj për vete tokë në krahinën e ferezenjve e të rafaimëve, nëse e keni tepër të ngushtë malësinë e Efraimit”.

16 Bijtë e Jozefit iu përgjigjën: “Malësia nuk na mjafton. Po edhe të gjithë kananenjtë që jetojnë në vërri kanë karroca hekuri si ata në Betsan me fshatrat e tij po ashtu edhe ata që janë në fushën e Jezraelit”. 17 Atëherë Jozuehu i tha shtëpisë së Jozefit, Efraimit e Manaseut: “Je popull i shumtë dhe ke forca të mëdha. S’do të mbetesh vetëm me një short, 18 por kalo në male, shpyllëzoji e pastroji e do të kesh hapësirë për të banuar. Pa dyshim do t’i dëbosh edhe kananenjtë, megjithëse kanë karroca hekuri dhe janë të fortë”.

Jozuehu: 18. Veprim kadastral për këto shtatë fise

18

1 U bashkuan të gjithë bijtë e Izraelit në Silo dhe aty ngrehën Tendën e Takimit. E kishin pushtuar mbarë vendin. 2 Por në mes të bijve të Izraelit mbetën shtatë fise që ende nuk e kishin marrë pronën e vet.

3 Atëherë Jozuehu u tha: “Deri kur do të kalbeni nga ngathtësia e nuk do të hyni ta merrni për pronë tokën që jua dha Zoti, Hyji i etërve tuaj? 4 Zgjidhni prej çdo fisi nga tre burra që t’i dërgoj ta përshkojnë tokën e ta përshkruajnë sipas numrit të secilit fis për ta ndarë. Pastaj le të ma sjellin ç’kanë shkruar. 5 Ndajeni tokën ndërmjet vetes në shtatë pjesë. Juda le të mbesë në tokën e vet në jug, kurse Shtëpia e Jozefit le të qëndrojë në tokën e vet në veri. 6 Tokën tjetër ta shkruani në shtatë pjesë. Ma sillni këtu tek unë, që në praninë e Zotit, Hyjit tonë, të qes short këtu për ju. 7 Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e Zotit është prona e tyre. Kurse Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manaseut tanimë i kanë marrë pronat e veta përtej Jordanit, në anën e lindjes, që ua pat dhënë Moisiu, shërbëtori i Zotit”.

8 Kur u ngritën njerëzit që të shkonin për ta përshkruar tokën, Jozuehu u urdhëroi: “Përshkojeni vendin dhe përshkruajeni e kthehuni tek unë, që këtu, në praninë e Zotit, në Silo, t’jua ndaj me short”. 9 Kështu, pra, ata shkuan dhe e përshkuan vendin qytet më qytet dhe e ndanë në shtatë pjesë duke e shënuar në regjistër. Atëherë u kthyen tek Jozuehu në zemërimië në Silo. 10 Jozuehu u hodhi short në praninë e Zotit në Silo dhe aty ua ndau tokën bijve të Izraelit sipas pjesëve të tyre.

Fisi i Beniaminit

11 Shorti i ra fisit të Beniaminit sipas vëllazërive të tija: pjesa atyre u takoi ndërmjet bijve të Judës e bijve të Jozefit. 12 Kufiri i tyre verior ishte prej Jordanit dhe vazhdonte gjatë krahut të veriut të Jerikut, ngjitej nga perëndimi në Malësi dhe përfundonte në shkretëtirën Betaven. 13 Prej andej shkonte drejt Luzës në jug ‑ kjo është Beteli ‑ zbret pastaj në Atarotadar, përbri malit që është në jug të Betoronit të Poshtëm. 14 Pastaj bënte lak e sillej drejt jugut nga mali që është përballë Betoronit dhe mbaronte në Kariatbaal që quhet edhe Kariatiarim, qytet i bijve të Judës: ky është krahu perëndimor.

15 Në krahun e mesditës, prej anës së Kariatiarimit, kufiri shkon në Gazim dhe arrin deri te burimi i ujërave Neftoa, 16 zbret pastaj në pjesën e fundme të malit që është përballë luginës Benenom në veri të luginës Rafaim. Ulet pastaj në luginën Enom, përbri krahut të Jebuseut në veri dhe mbërrin në burimin Rogel. 17 Kalonte në veri e mbërrinte në Ensemes /d. m. th. Burimi i Diellit/. Kalon deri në Galilot /këta janë rrathët/ që lartësohet drejt përpjetës Adomim, zbret pastaj tek Abenboeni /d. m. th. Guri Boen/ i birit të Rubenit, 18 e kalon nga veriu Betarabën dhe zbret në Arabë. 19 Pastaj kufiri kalon shpatit verior të Betaglës, dhe arrin në gjiun verior të Detit të Kripur, në grykën jugore të Jordanit. Ky është kufiri verior. 20 Në anën e lindjes si kufi shërben Jordani.

Kjo është prona e bijve të Beniaminit sipas vëllazërive të tyre me kufijtë e saj përreth.

Qytetet e Beniaminit

21 Qytetet e fisit të Beniaminit ishin:

Jeriku, Betagla, Amekasisi, 22 Betaraba, Samaraimi, Beteli, 23 Avimi, Fara, Ofra, 24 Kafaremona, Ofniu, Gabaja: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

25 Gabaoni, Rama, Beroti, 26 Masfa, Kafira, Mosa, 27 Recemi, Jarafeli, Tarala, 28 Sela, Elefi, Jebusi ‑ që është Jerusalemi, Gabaati e Kariati: katërmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

Kjo është prona e bijve të Beniaminit sipas vëllazërive të tyre.

Jozuehu: 19. Fisi i Simonit

19

1 Shorti i dytë u ra bijve të Simonit sipas vëllazërive të tyre. Prona e tyre 2 ishte në mes të bijve të Judës. Ishte: Bersabeja, Samaja, Molada, 3 Hasersuali, Bela, Asemi, 4 Eltoladi, Betuli, Horma, 5 Sicelegu, Betmarkaboti, Asersuza, 6 Betlebaoti e Saroheni: trembëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

7 Aini, Remoni, Atari e Asani: katër qytete me fshatrat e tyre. 8 Përfshiheshin edhe të gjitha fshatrat rreth këtyre qyteteve deri në Baalatbeer, në Ramatnageb.

Kjo është prona e bijve të Simonit sipas vëllazërive të tyre.

9 Pjesa e bijve të Simonit u mor nga pjesa e bijve të Judës, sepse pjesa, ndarë bijve të Judës, ishte tepër e madhe për ta. Këndej edhe bijtë e Simonit e morën pjesën e pronës së vet në mes të pronës së tyre.

Fisi i Zabulonit

10 Shorti i tretë ra mbi bijtë e Zabulonit sipas vëllazërive të tyre: kufiri i pronës së tyre shtrihej deri në Sarid. 11 Prej këndej në perëndim kufiri shkonte deri në Meralë e mbërrinte në Debaset deri në përruan që është përballë Jeknaamit. 12 Pastaj kthehet prej Saridit në lindje në kufi të Cezeletaborit, del në Daberet e ngjitet përballë Jafies. 13 Prej andej kalon deri në krahun e lindjes të Geteferit, Etakasinit e del në Remon dhe zbret në Noa. 14 Pastaj bën lak në veri tek Hanatoni. Mbaron në luginën Jeftahel. 15 Përfshinte edhe Katetin, Naalolin, Semronin, Jedalën e Betlehemin: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

16 Ky është trashëgimi i fisit të bijve të Zabulonit sipas vëllazërive të tij, qytete e fshatra të tyre.

Fisi i Isaharit

17 Shorti i katërt i ra Isaharit sipas vëllazërive të tija. 18 Trashëgimi i tij qe: Jezraeli, Kasaloti, Sunemi, 19 Hafaraimi, Seoni, Anaharati, 20 Rabiti, Cesioni, Abesi, 21 Rameti, Enganimi, Enhada, Betfezezi. 22 Pastaj kufiri prek Taborin, Sehesimën, Betsamesin dhe përfundon në Jordan. Gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

23 Kjo është prona e bijve të Isaharit sipas vëllazërive të tija, qytetet e fshatrat e tij.

Fisi i Aserit

24 Shorti i pestë i ra fisit të bijve të Aserit sipas vëllazërive të tija. 25 Kufiri i tyre ishte: Halkati, Kaliu, Beteni, Aksafi, 26 Elmeleku, Amaadi, Mesali dhe arrinte deri në Karmel në perëndim dhe në Sihorlabanat. 27 Atëherë kthehej në drejtim të lindjes në Betdagon dhe shkonte deri te Zabuloni në luginën Jeftael në veri në Betemek e në Nejel. I arrinte Kabulit në krahun e majtë, 28 në drejtim të Abranit, Rohobit, Hamonit e të Kanës deri në Sidonin e Madh. 29 Atëherë kthehej në Ramë deri te qyteti tejet i fortifikuar, që është Tiri. Pastaj kthehej në Hosë, e merrte fund në det. Përfshinte Mahalebin, Akzibën, 30 Amën, Afekun, e Rohobin: njëzet e dy qytete me fshatrat e tyre.

31 Kjo është prona e bijve të Aserit sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

Fisi i Neftaliut

32 Shorti i gjashtë ra mbi bijtë e Neftaliut sipas vëllazërive të tyre. 33 Kufiri i tyre fillon prej Helefit e prej Qarrit Saananim e prej Adaminecebit, Jebnaelit deri në Lekum dhe shkon e mbaron në Jordan. 34 Atëherë kufiri kthen drejt perëndimit në Aznotabor e prej këndej shkon në Hukokë dhe në jug përpiqet me Zabulonin, kurse në perëndim me Aserin, në lindje del në Jordan. 35 Qytetet e fortifikuara ishin: Asedimi, Seri, Amati, Rekati, Kenereti, 36 Edema, Rama, Asori, 37 Cedesi, Edrai, Enasori, 38 Jeroni, Magdaleli, Horemi, Betanati e Betsamesi: nëntëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

39 Kjo është prona e fisit të bijve të Neftaliut sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

Fisi i Danit

40 Shorti i shtatë i ra fisit të bijve të Danit sipas vëllazërive të tyre. 41 Kufiri i pronës së tyre ishte: Saraja, Estaoli, Hirsemesi /d. m. th. Qyteti i Diellit/, 42 Selebini, Ajaloni, Jetela, 43 Eloni, Temna, Akroni, 44 Eltecja, Gebetoni, Baalati, 45 Judi, Benebaraku, Getremoni, 46 Mejarkoni, Arekoni me krahinën në anën e Jopës.

47 Por kufiri i bijve të Danit u shty prej tyre. Bijtë e Danit u ngjitën dhe luftuan kundër Lesemit dhe e pushtuan. Njerëzit i prenë me teh të shpatës, ua morën vendin e banuan në të dhe e quajtën Lesemdan, në emër të Danit, babait të vet.

48 Kjo është prona e bijve të Danit sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

49 Pasi e kryen së ndari tokën me short për secilin fis, bijtë e Izraelit ia dhanë në mesin e tyre pronën Jozuehut, birit të Nunit. 50 Sipas urdhrit të Zotit i dhanë qytetin që ai e kërkoi: Tamnatsaranë në bjeshkët e Efraimit.

Jozuehu ndërtoi qytetin dhe nguli në të.

51 Këto janë pronat që më short i ndanë Eleazari prift, Jozuehu, biri i Nunit, dhe prijësit e vëllazërive të fiseve të bijve të Izraelit në Silo, në praninë e Zotit, te dera e Tendës së Takimit.

Kështu i dhanë fund ndarjes së vendit.

Jozuehu: 20. Qytetet strehim

20

1 Zoti foli me Jozuehun dhe i tha: “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: 2 Caktoni për vete qytetet strehim, për të cilat ju kam folur me anë të Moisiut, 3 që të gjejë strehim kushdo të vrasë me padashje ndonjë njeri, që të mund t’i shpëtojë hidhërimit të të afërmit, që i takon të marrë gjakun. 4 Pasi të jetë strehuar brenda cilitdo prej këtyre qyteteve, le të paraqitet te dera e qytetit dhe le t’u tregojë pleqve të qytetit arsyet që e vërtetojnë se është i pafajshëm. Kështu ata do ta pranojnë dhe do t’i caktojnë vendin për të banuar. 5 Nëse hakmarrësi i gjakut e kërkon, të mos ia dorëzojnë , sepse e vrau me padije të afërmin e vet, dhe nuk mund të vërtetohet se më parë ka qenë armik me të. 6 Le të banojë në atë qytet derisa të dalë para kuvendit të dheut për t’u bërë gjykimi duke përligjur shkakun e ngjarjes së vet, ose derisa të vdesë kryeprifti që është asokohe në shërbim. Atëherë vrasësi le të kthehet e le të hyjë në qytetin e vet e në shtëpinë e vet, prej nga kishte ikur”.

7 Caktuan Cedesin në Galile, në malin e Neftaliut; Sikemin në malin e Efraimit; Kariatarbenë ‑ që është Hebroni ‑ në malin e Judës. 8 Në anën përtej Jordanit, në lindje të Jerikut, caktuan Bosorin, që është në shkretëtirë në rrafshin e fisit të Rubenit, Ramotin në Galaad prej fisit Gad dhe Gaulonin në Basan prej fisit të Manaseut.

9 Këto qytete u caktuan për të gjithë bijtë e Izraelit dhe për ardhacakë që banojnë ndër ta, që, kushdo të ketë vrarë ndokënd padashje, të strehohet në to, që të mos vdesë prej dorës së të afërmit që dëshiron të hakmerret për gjakun e derdhur, derisa të dalë para popullit për ta sqaruar çështjen e vet.

Jozuehu: 21. Qytetet e levitëve

21

1 Kryetarët e familjeve të Levit shkuan tek Eleazari prift, te Jozuehu, biri i Nunit, e te prijësit e vëllazërive të të gjitha fiseve të bijve të Izraelit 2 biseduan me ta në Silo, në tokën e Kanaanit. U thanë: “Zoti urdhëroi me anë të Moisiut që të na jepen qytetet për të banuar dhe rrethinat e tyre për të kullotur bagëtitë”.

3 Bijtë e Izraelit ua dhanë levitëve prej pronave të veta, siç kishte urdhëruar Zoti, ato qytete me rrethinat e tyre.

4 U hodh shorti për familjet e Kaatit: bijve të Aronit prift, u ranë me short trembëdhjetë qytete prej fiseve të Judës, të Simonit e të Beniaminit. 5 Të tjerëve bijve të Kaatit, d. m. th. levitëve, u ranë me short dhjetë qytete prej fiseve të Efraimit, të Danit e të gjysmës së fisit të Manaseut. 6 Kurse bijve të Gersonit shorti u ra të marrin trembëdhjetë qytete prej fiseve të Isaharit, të Aserit e të Neftaliut dhe të gjysmës së fisit të Manaseut në Basan. 7 Bijve të Merariut, sipas vëllazërive të tyre, u takuan dymbëdhjetë qytete prej fiseve të Rubenit, të Gadit e të Zabulonit. 8 Bijtë e Izraelit ua dhanë levitëve ato qytete me rrethinat e tyre, siç kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut, me short.

Pjesa e Kaatasve

9 Prej fiseve të bijve të Judës e të Simonit iu dhanë qytetet si më poshtë, të caktuara me emër, 10 bijve të Aronit, prej familjeve të Kaatasve të fisit të Levit, ‑ sepse shorti i parë ra mbi ta.

11 Kariatarbe /d. m. th. Qyteti i Arbeut/, babait të Enakut, që quhet Hebron, në malin e Judës, me kullotat e rrethinës së tij. 12 Kurse fusha me fshatrat e saj i ishte dhënë më parë për pronë Kalebit, birit të Jefoneut. 13 Të bijve të Aronit prift u ra qyteti strehim i Hebronit dhe rrethinat e tija, Lebnami me rrethinat e tija, 14 Jeteri e Estemoja, 15 Holoni, Dabiri, 16 Aini, Jeta, Betsamesi me rrethinat e tyre: nëntë qytete prej këtyre dy fiseve. 17 Kurse prej fisit të Beniaminit: Gabaoni, Gabaja, 18 Anatoti, Almti me rrethinat e tyre: katër qytete.

19 Të gjitha qytetet e bijve të Aronit prift: trembëdhjetë me rrethinat e tyre.

20 Kurse levitëve të tjerë prej familjeve të bijve të Kaatit, u qe dhënë kjo pronë:

21 Prej fisit të Efraimit: qyteti strehim i Sikemit me rrethinat e tija në malet e Efraimit dhe Gazeri, 22 Cibsaimi, Betoroni me rrethinat e tyre: katër qytete. 23 Kurse prej fisit të Danit: Eltecja, Gebatoni, 24 Ajaloni, Getremoni me rrethinat e tyre: katër qytete. 25 Kurse prej gjysmës së fisit të Manaseut: Tanaku e Getremoni me rrethinat e tyre: dy qytete.

26 Bijve të Kaatit, të shkallës më të ulët, u dhanë të gjitha së bashku dhjetë qytete me rrethinat e tyre.

Pjesa e Gersonajve

27 Kurse bijve të Gersonit, familjeve levite, u dhanë prej gjysmës së fisit të Manaseut: qytetin strehim Gaulonin, në Basan, dhe Astarotin me rrethinat e tyre: dy qytete. 28 Kurse prej fisit të Isaharit: Cezionin, Daberetin, 29 Jaramotin, Enganimin me rrethinat e tyre: katër qytete. 30 Prej fisit të Aserit: Masalin, Abdonin, 31 Helkatin e Rohobin me rrethinat e tyre: katër qytete. 32 Prej fisit të Neftaliut: qytetin strehim Cedesin, në Galile, Amotdorin, Kartanin me rrethinat e tyre: tri qytete.

33 Të gjitha qytetet e familjeve të Gersonit: trembëdhjetë me rrethinat e tyre.

Pjesa e bijve të Merariut

34 Bijve të Merariut, levitëve të shkallës më të ulët, sipas vëllazërive të tyre, u qenë dhënë prej fisit të Zabulonit: Jeknaami, Karta, 35 Remona, Naaloli: katër qytete me rrethinat e tyre. 36 Prej fisit të Rubenit, përtej Jordanit, përballë Jerikut, qyteti strehim i Bosorit në rrafshinën e shkretëtirës, Jasa, Kademoti, e Mefaati: katër qytete me rrethinat e tyre. 37 Prej fisit të Gadit qyteti strehim i Ramotit, në Galaad, Mahanaimi, Heseboni e Jazeri: katër qytete me rrethinat e tyre.

38 Të gjitha qytetet e bijve të Merariut sipas vëllazërive të tyre, levitëve të tjerë, dymbëdhjetë qytete.

39 Kështu, pra, të gjitha qytetet e levitëve në pronën e bijve të Izraelit qenë dyzet e tetë 40 me rrethinat e tyre, secili qytet me kullotat e veta përreth.

41 Zoti ia dha Izraelit mbarë tokën për të cilën u ishte përbetuar etërve të tyre se do t’ua jepte dhe e bënë pronë të veten e banuan në të. 42 Dhe Zoti u dha qetësi sipas të gjitha përbetimeve që ua kishte bërë etërve të tyre. Asnjë prej armiqve të tyre nuk pati guximin t’u dilte përballë, por të gjithë i vuri nën sundimin e tyre. 43 Asnjë prej të gjitha premtimeve që i bëri Zoti shtëpisë së Izraelit, nuk mbeti pa shkuar në vend: u plotësuan që të gjitha.

Jozuehu: 22. Lëshimi i fiseve përtejjordanase

22

1 Atëherë Jozuehu grishi rubenasit e gadasit dhe gjysmën e fisit të Manaseut 2 e u tha: “Bëtë gjithçka ju ka urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. Edhe mua më dëgjuat gjithçka ju urdhërova. 3Dhe gjatë këtyre ditëve të shumta deri më sot nuk i latë vëllezërit tuaj: e mbajtët urdhërimin e Zotit, Hyjit tuaj! 4 E, pasi Zoti, Hyji juaj, ua dha vëllezërve tuaj qetësinë dhe paqen, ashtu sikurse edhe ua pat premtuar, tani kthehuni e shkoni në tendat tuaja e në pronën tuaj që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit. 5 Porse kini kujdes të madh që t’i ruani e t’i zbatoni urdhërimet dhe Ligjin që jua urdhëroi Moisiu, shërbëtori i Zotit: duani Zotin, Hyjin tuaj, dhe ecni në të gjitha udhët e tija. Mbani urdhërimet e tija. Qëndroni Atij besnikë dhe shërbejini me gjithë zemër e me gjithë shpirt”!

6 Atëherë Jozuehu i bekoi dhe i la të shkonin. Ata u kthyen në tendat e tyre.

7 Edhe gjysmës së fisit të Manaseut Moisiu ua kishte dhënë pronën në Basan. Prandaj gjysmës tjetër Jozuehu i dha me short pjesën e trashëgimit në mes të vëllezërve të tyre përtej Jordanit, në anën e tij të perëndimit. Duke i përcjellë që të shkonin në tendat e tyre, Jozuehu i bekoi 8 dhe u tha: “Me pasuri të shumta po ktheheni në shtëpitë tuaja: me argjend, me ar, me bronz e me hekur dhe me petka të llojllojshme: ndajeni me vëllezërit tuaj prenë që ua rrëmbyet armiqëve”.

Ngritja e një lteri në bregun e Jordanit

9 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit e gjysma e fisit të Manaseut u kthyen dhe u nisën prej bijve të Izraelit nga Siloja, në tokën e Kanaanit, për t’u kthyer në Galaad, në tokën e pronës së vet, që e kishin marrë sipas urdhrit të Zotit nëpër dorë të Moisiut.

10 Kur arritën në Leqet e Jordanit, në tokën e Kanaanit, në brigjet e Jordanit ndërtuan një lter të madh që shihej së largu. 11 Kur dëgjuan bijtë e Izraelit se rubenasit, gadasit dhe gjysma e fisit të Manaseut kishin ndërtuar një lter nga krahina e tokës së Kanaanit te Leqet e Jordanit përballë bijve të Izraelit, 12 u bashkuan të gjithë në Silo për të shkuar e për të luftuar kundër tyre.

Qortime drejtuar fiseve përtej Jordanit

13 Ndërkaq dërguan tek ata në tokën e Galaadit Fineesin, birin e Eleazarit prift. 14 Me të dërguan edhe dhjetë prijës, prej secilit fis nga një. Secili ishte kryetar i vëllazërive të Izraelit.

15 Këta shkuan te bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut në tokën Galaad dhe u thanë:

16 “Ja ç’ju thotë mbarë bashkësia e Zotit: Ç’do të thotë kjo shmangie juaj? Pse e latë Zotin, Hyjin e Izraelit, e ndërtuat një lter shenjtdhunim dhe u larguat nga adhurimi i Tij? 17 A ju duket pak mëkati i Fegorit, dënga e së cilës emnesë ende mbetet në ne, i cili solli vdekjen në bashkësinë e Zotit? 18 E ju sot prapë e latë Zotin dhe u çuat kundër Zotit. Nesër zemërimi i tij do të ndizet flakë kundër mbarë bashkësisë së Izraelit. 19 Në qoftë se jua merr mendja se toka e trashëgimit tuaj është e papastër, atëherë kaloni në tokën e pronës së Zotit, ku është Banesa e Zotit, dhe banoni ndër ne! Mjaft që të mos ngrini kokë kundër Zotit dhe të mos na bëni edhe ne të çohemi kundër Zotit duke ndërtuar lter tjetër përveç lterit të Zotit, Hyjit tonë. 20 A nuk qe vetëm Akani, biri i Zaresë, që shkeli urdhrin e Zotit lidhur me “mallkimin”, e hidhërimi i Zotit rëndoi mbi mbarë bashkësinë e Izraelit? Ai s’qe një njeri i vetëm; oh, sikur të kishte mbaruar vetëm ai për fajin e vet”!

Përligjja i fiseve përtej jordanase

21 Bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut iu përgjigjën prijësve të dërgatës së Izraelit:

22 “Zoti, Hyji i gjithëpushtetshëm, Hyji i gjithëpushtetshëm Zot e di mirë, por le ta marrë vesh edhe Izraeli: nëse e ndërtuam këtë lter me shpirt kryengritjeje dhe kundërshtimi ndaj Zotit, le të mos na ndihmojë, por të na ndëshkojë tani; 23 e nëse e bëmë me mendim që të largohemi prej Zotit për të kushtuar fli shkrumbimi, fli kushtimore bimore ose fli pajtimi mbi këtë lter: le të shohë vetë Zoti e le të gjykojë. 24 Në të vërtetë ne e bëmë këtë gjë prej shqetësimit dhe mendimit që na ka mbërthyer, sepse nesër fëmijët tuaj do t’u thonë fëmijëve tanë: ‘Çfarë keni së bashku ju me Zotin, Hyjin e Izraelit? 25 Zoti vuri kufi ndërmjet nesh e jush, o bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit, lumin Jordan! Prandaj ju s’keni pjesë më Zotin!’ Kështu bijtë tuaj do t’i bënin bijtë tanë të largohen e të mos e kenë frikë Zotin. Këndej edhe menduam se është më mirë 26 e thamë: Të ndërtojmë një lter, jo për fli shkrumbimi e fli theroreje, 27 por për dëshmi ndërmjet nesh e jush, ndërmjet bamit tonë e bamit tuaj, dhe se kemi të drejtë të kushtojmë fli shkrumbimi, therore e fli pajtimi që assesi të mos u thonë bijtë tuaj bijve tanë në të ardhmen: ‘Ju nuk keni pjesë më Zotin’! 28 E nëse do t’u thonë, le t’iu përgjigjen: ‘Ja, trajta e lterit të Zotit që e punuan etërit tanë, jo për fli shkrumbimi e therore, por për dëshmi ndërmjet nesh e jush’! 29 Larg nesh mendimi se duam të çohemi kundër Zotit e t’i kthejmë atij shpinën duke ndërtuar lter për fli shkrumbimi, therore e fli kushtimi, përveç lterit të Zotit, Hyjit tonë, që është pranë Banesës së tij”.

Përkimi i rivendosur

30 Kur i dëgjuan këto fjalë prifti Finees dhe prijësit e dërgatës së izraelitëve që ishin me të, u qetësuan dhe fjalët e bijve të Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut i pranuan me shumë kënaqësi. 31 Fineesi prift, biri i Eleazarit, u tha: “Tani po e marrim vesh se Zoti është me ne, sepse nuk e paskeni bërë këtë shëmtim dhe i paskeni çliruar bijtë e Izraelit prej dorës së Zotit”.

32 Fineesi bashkë me prijësit u kthye prej bijve të Rubenit e të Gadit prej tokës së Galaadit në tokën e Kanaanit te bijtë e Izraelit dhe u treguan gjithçka. 33 Të gjithë dëgjuesve u pëlqeu përgjigjja dhe bijtë e Izraelit i dhanë lavdi Hyjit, dhe hoqën nga mendja që t’i sulmojnë e ta shkretojnë me luftë vendin në të cilin banonin bijtë e Rubenit e të Gadit. 34 Bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit lterit që kishin ndërtuar, ia ngjitën emrin: Dëshmitar. Sepse thanë: “Është Dëshmitar ndër ne se Zoti është Hyj”.

 

Jozuehu: 23. Jozuehu bën një përmbledhje të shkurtër të veprës së vet

23

1 Kishte kaluar shumë kohë që kur Zoti i kishte dhënë Izraelit paqe prej të gjithë popujve që e rrethonin. Jozuehu tashmë ishte shumë i moçëm dhe kishte arritur pleqërinë e thellë. 2 Atëherë Jozuehu thirri mbarë Izraelin: pleqtë prijësit, gjyqtarët dhe udhëheqësit e tyre e u tha: “Unë tashmë u plaka dhe kam hyrë në moshë të thellë. 3 Ju patë gjithçka u bëri Zoti, Hyji juaj, të gjitha këtyre kombeve dhe si luftoi Ai për ju. 4 Ja, me short jua ndava fiseve tuaja për pronë kombet që mbetën gjallë dhe ato që i zhduka, që nga Jordani e deri në Detin e Madh, në perëndim. 5 Zoti, Hyji juaj, do t’i shpërndajë dhe do t’i zhdukë prej faqes suaj dhe ju do ta merrni për pronë tokën e tyre, siç jua ka premtuar”.

Sjellja mes popujve të huaj

6 “Veçse jini të fortë e të qëndrueshëm në zbatimin e të gjithave që janë shkruar në Librin e Ligjit të Moisiut dhe mos u bëni lak as djathtas as majtas. 7 Mos u përzieni me popujt që mbetën ndër ju, mos u përbetoni në emër të hyjnive të tyre dhe mos u shërbeni as mos i adhuroni. 8 Qëndroni besnikë Zotit, Hyjit tuaj, siç keni bërë deri Tani.

9 Zoti dëboi para fytyrës suaj popuj të mëdhenj e tejet të fortë dhe asnjë popull nuk mundi t’ju qëndrojë përballë: 10 një jush vë në të ikur një mijë armiq, sepse Zoti, Hyji juaj, lufton për ju siç ju është zotuar! 11 Porse këtë gjë ruajeni me kujdesin më të madh: duajeni Zotin, Hyjin tuaj!

12 Por në qoftë se do t’i miratoni gabimet e këtyre popujve që mbetën ndër ju, dhe do të përzieni me ta martesa e do të lidhni miqësi, 13 dijeni që tani se Zoti, Hyji juaj, nuk do t’i zhdukë para fytyrës suaj, por do të jenë për ju rrjetë, gropë, lak, frushkull për shpinën tuaj, ferrë për sytë tuaj derisa t’ju shpërndajë prej kësaj toke të mrekullueshme që jua dha.

14 Ja, unë sot po nisem për atë rrugë që do ta rrahë çdo krijesë! Pranojeni me gjithë zemër se asnjë prej premtimeve të mira që ju ka bërë Zoti, nuk ka shkuar huq! 15 Pra, sikurse çoi në vend gjithçka premtoi e erdhën të gjitha ato të mira, po ashtu do të çojë mbi ju të gjitha të këqijat me të cilat është kërcënuar derisa t’ju zhdukë nga kjo tokë e mirë që jua dhuroi. 16 Nëse do t’i shmangeni Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, që jua ka urdhëruar, e do t’u shërbeni hyjnive të huaja dhe do t’i adhuroni ato, do të ndizet flakë kundër jush zemërimi i Zotit, do të zhdukeni shpejt prej kësaj toke të mrekullueshme që jua dhuroi Zoti”.

Jozuehu: 24. Kuvendi i Dheut në Sikëm

24

1 Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem dhe i grishi pleqtë, prijësit, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. 2 Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit kështu:

“Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nakorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. 3 Prandaj unë e mora Abrahamin, babain tuaj, prej tokës së Mesopotamisë, e shpura nëpër mbarë tokën e Kanaanit dhe e shumova farën e tij. 4 Ia dhurova Izakun. Izakut pastaj i fala Jakobin dhe Ezaun. Prej tyre, Ezaut i dhashë për pronë bjeshkët e Seirit, kurse Jakobi e bijtë e tij zbritën në Egjipt.

5 Atëherë dërgova Moisiun e Aronin dhe e godita Egjiptin me shenja të mrekullueshme që i bëra në mesin e tij e pastaj ju nxora prej andej. 6 Unë i nxora etërit tuaj prej Egjiptit dhe arritët deri te deti. Egjiptianët i ndoqën etërit tuaj me karroca e me kalorësi deri te Deti i Kuq. 7 Ata kërkuan ndoren e Zotit dhe Ai lëshoi terrin ndërmjet jush dhe egjiptianëve dhe shtyri mbi ta detin që i mbuloi. Patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Pastaj jetuat në shkretëtirë për një kohë të gjatë.

8 Pastaj ju priva e ju prura në tokën e Amorreut, që banonte përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë i lëshova në duar tuaja, jua pushtuat tokën dhe ata i vratë. 9 U ngrit Balaku, biri i Seforit, mbreti i Moabit, dhe luftoi kundër Izraelit. Çoi e thirri Balaamin, birin e Beorit, që t’ju mallkonte. 10 Por unë nuk desha t’ia vija veshin atij, por përkundrazi, iu desh t’ju bekojë dhe ju shpëtova prej duarve të tija.

11 E kaluat Jordanin dhe mbërritët tek Jeriku. Kundër jush luftuan trimat e atij qyteti ‑ Amorreu. Ferezeu, Kananeu, Heteu, Gergezeu, Heveu e Jebuzeu dhe unë qeshë ai që jua lëshova në dorë. 12 I lëshova para jush grethat dhe i bënë të dalin para jush ‑ dy mbretërit e amorrenjve ‑ jo në saje të shpatës e të harkut tënd! 13 Unë jua dhashë tokën që nuk e keni punuar, qytetet që nuk i keni ndërtuar e banoni në to; ju dhashë vreshta e ullishta që nuk i mbollët, e po hani prej tyre”!

Izraeli zgjedh Zotin

14 “Tani, pra, druani Zotin e shërbejini Atij me zemër të përsosur e plotësisht besnike! Flakni tej zotat të cilëve u shërbyen etërit tuaj në Mesopotami e në Egjipt dhe shërbejini Zotit! 15 Por, në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit”!

16 Populli u përgjigj:

“Zoti mos e thëntë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! 17 Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha dhe na ruajti në çdo udhë ngado kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. 18 Pastaj, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçerisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë”!

19 Atëherë Jozuehu i tha popullit:

“Ju nuk do të mund t’i shërbeni Zotit. Ai është Hyj i shenjtë, Hyj ziliqar që s’mund t’i durojë dot paudhësitë e mëkatet. 20 Nëse do ta lini Zotin e do t’u shërbeni zotave të huaj, Ai do të kthehet kundër jush, do t’ju ndëshkojë e do t’ju shpartallojë, pasi ju ka bërë gjithë ato të mira”.

21 Populli i tha Jozuehut: “Assesi! Ne do t’i shërbejmë Zotit”!

22 Atëherë Jozuehu i tha popullit: “Pra, ju vetë jeni dëshmitarë kundër vetvetes, se ju vetë e zgjodhët Zotin për t’i shërbyer”.

U përgjigjën: “Jemi dëshmitarë”!

23 Jozuehu shtoi: “Hiqni pra, tani, zotat e huaj që janë ndër ju, dhe ktheni zemrat tuaja te Zoti, Hyji i Izraelit!

24 E populli iu përgjigj Jozuehut: “Do t’i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t’i dëgjojmë urdhërimet e tija”.

Besëlidhja e Sikemit

25 Kështu, pra, Jozuehu në këtë ditë lidhi me popull Besëlidhjen në Sikem. Caktoi ligje dhe rregullore. 26 Atëherë këto fjalë i shënoi në Librin e Ligjit të Hyjit. Pastaj mori një gur tejet të madh dhe e vendosi aty nën qarr, që ishte në Shenjtëroren e Zotit, 27 dhe i tha mbarë popullit: “Ja, ky gur le të jetë dëshmitar kundër jush, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit që i tha ndër ne, që më vonë të mos keni se si ta mohoni e të gënjeni Zotin, Hyjin tuaj”.

28 Atëherë e la popullin të shkojë secili në pronën e vet.

4. SHTOJCË

Vdekja e Jozuehut

29 Pas këtyre ngjarjeve vdiq Jozuehu, i biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjetësh. 30 E varrosën në pronën e tij në Tamnatsare, që është në malet e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas.

31 Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë ditëve të jetës së Jozuehut dhe të pleqve, të cilët jetuan një kohë të gjatë pas Jozuehut dhe të cilët i njohën të gjitha veprat e Zotit, që i bëri Izraelit.

Eshtrat e Jozefit. Vdekja e Eleazarit

32 I varrosën edhe eshtrat e Jozefit, që i sollën bijtë e Izraelit prej Egjiptit në Sikem, në pjesën e arës që e kishte blerë Jakobi prej bijve të Hemorit, babait të Sikemit, për njëqind para argjendi dhe ishte pjesë e pronës së bijve të Jozefit.

33 Vdiq po ashtu edhe Eleazari, biri i Aronit. E varrosën në Gabaanë e Fineesit, birit të tij, që i qe dhënë atij në malin e Efraimit.