Veprat e Apostujve: 1. Premtimi i Shpirtit Shenjt

1

1 Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka që Jezusi bëri dhe mësoi që prejfillimit 2 e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet Shpirtit Shenjt.

3 Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit.

4 Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lënë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: 5 Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.”

Të shëlbuarit – ngjitja në qiell

6 Tani, ata që ndodhën bashkë me të, e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” 7 Ai iu përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. 8 Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe deri në skajin e botës.”

9 Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. 10 Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin se si ai ngritej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre 11 dhe u thanë: “O burra galileas, pse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezus, që prej jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”

Zgjedhja e pasardhësit të Judës

12 Pastaj nga mali i Ullinjve u kthyen në Jerusalem. Ky mal është afër Jerusalemit aq sa guxohet të ecet të shtunën. 13 Dhe, pasi hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku zakonisht banonin. Ishin Pjetri, Gjoni, Jakobi, Andreu, Filipi, Toma, Bartolomeu, Mateu, Jakobi i Alfeut, Simoni Zelltar dhe Juda i Jakobit. 14 Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në lutje me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15 Po në ato ditë, u ngrit Pjetri në mes të vëllezërve ‑ ishin mbledhur afërsisht njëqind e njëzet vetë ‑ dhe tha:

16 “Vëllezër, është dashur të plotësohet Shkrimi i shenjtë të cilin me gojë të Davidit e parafoli Shpirti Shenjt për Judën, i cili u bë prijësi i atyre që e kapën Jezusin. 17 Ai ishte vërtet nga numri ynë dhe kishte pjesë në këtë shërbesë. 18 Porse ai, me paratë që i paguan për krimin e tij, bleu një arë, pastaj theu qafën, plasi përmes e iu derdhën të gjitha zorrët. 19 Kjo gjë u dit prej banorëve të Jerusalemit sa që këtë arë e quajtën në gjuhën e tyre ‘Hakeldama’ d. m. th. ‘Ara e Gjakut.’

20 Dhe njëmend, në librin e Psalmeve shkruan:

‘Shtëpia e tij mbettë e shkretë,

askush në të mos banoftë!’

dhe:

‘Parësinë e tij dikush tjetër e trashëgoftë!’

21 Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Zotëria Jezus jetoi në mesin tonë, ‑ 22 duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri atë ditë kur prej nesh u ngrit në qiell ‑ të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij.”

23 Dhe paraqitën dy: Jozefin që quhet Barsabë me mbiemër Just dhe Matinë: 24 Atëherë u lutën:

“Ti, o Zot, që njeh zemrat e të gjithë njerëzve, trego cilin prej këtyre të dyve e ke zgjedhur 25 për të marrë vendin e kësaj shërbese apostolike, prej të cilës u tërhoq Juda për të shkuar në vendin e vet.”

26 Atëherë hodhën short e shorti i ra Matisë, e kështu u radhit në numrin e të Njëmbëdhjetë apostujve.

Veprat e Apostujve: 2. Rrëshajët ardhja e Shpirtit Shenjt

2

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. 2 Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. 3 Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. 4 Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.

5 Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. 6 Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. 7 Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? 8 Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? 9 Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, 10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, 11 judenj e proselitë, kretas e arabë ‑ të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”

12 Të gjithë kishin mbetur të habitur e, të marrë mendsh, pyesnin njëri‑tjetrin: “Çfarë do të jetë kjo punë?” 13 Disa të tjerë, duke shpotitur, thoshin: “Janë dehur me musht!”

Predikimi i Pjetrit ditën e Rrëshajëve

14 Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha:

“Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia! 15 Këta njerëz nuk janë të dehur, siç po mendoni ju ‑ ju po shihni se është ora tre e mëngjesit ‑ 16 por po shkon në vend fjala që parafoli Joeli profet:

17 ‘Në ditën e fundit ‑ thotë Hyji:

‘Do ta ndikoj shpirtin tim në çdo njeri

dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë,

djelmoshat tuaj do të shohin vegime,

e pleqtë tuaj do ëndërrojnë.

18 Madje, edhe mbi shërbëtorë e shërbëtore të mia atë ditë do ta ndikoj Shpirtin tim

e do të profetizojnë.

19 Do të tregoj mrekulli lart në qiell

dhe shenja përmbi tokë poshtë

gjak e zjarr e shtylla tymi.

20 Dielli do të kthehet në errësirë

e hëna në gjak

para se të agojë dita e Zotit e madhe

(dhe e lavdishme).

21 Dhe kushdo atëherë ta thërrasë në ndihmë

Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

22 Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju; 23 këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. 24 Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. 25 E njëmend, për të Davidi thotë:

‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh,

sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem.

26 Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime,

po dhe trupi im do të pushojë me shpresë,

27 sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet.

28 Ti ma tregove udhën që shpie në jetë:

në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’

29 Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. 30 Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, 31 që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha:

‘Nuk qe lënë në Nëntokë

as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’

32 Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! 33 E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë. 34 E pra, Davidi nuk qe ngritur në qiell, e megjithatë thotë:

‘I tha Zoti Zotit tim:

rri në të djathtën time

35 derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë të këmbëve të tua!’

36 Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.”

37 Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë:

“Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër?”

38 Pjetri u dha përgjigje:

“Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt. 39 Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.”

40 Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë:

“Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!”

41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tri mijë vetë.

Bashkësia e parë e të krishterëve

42 E ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje.

43 Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. 44 Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. 45 Shitnin pronat dhe pasuritë që kishin dhe ua ndanin të gjithëve sipas nevojës së secilit. 46 Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku. 47 I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë nga ata që shëlbohen.

Veprat e Apostujve: 3. Shërimi i çalamanit para derës së Tempullit

3

1 Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë. 2 Pikërisht atëherë po sillnin një njeri të çalë që prej lindjes. Atë e sillnin përditë te dera e Tempullit, te ajo që quhet “E bukura” për të lypur lëmoshë prej atyre që hynin në Tempull. 3 Ai, kur pa Pjetrin e Gjonin duke hyrë në Tempull, lypi (për të marrë) lëmoshë. 4 Pjetri atëherë, bashkë me Gjonin, ia nguli sytë dhe i tha: “Na shiko!” 5 Ai po i vërente me kujdes duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë. 6 Atëherë Pjetri i tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!” 7 E kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti në këmbë. Aty për aty iu forcuan këmbët dhe nyjet; 8 kërceu, u drejtua, filloi të ecë dhe hyri në Tempull: ecte, kërcente dhe lavdëronte Hyjin. 9 Mbarë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Hyjin. 10 E njohën se ishte ai që ndenjur para derës “Së bukur” të Tempullit lypte lëmoshë dhe mbetën shtang të hutuar prej mrekullisë dhe prej habisë për çka i ndodhi atij.

jalimi i Pjetrit në tremen e Salomonit

11 Pasi i shëruari nuk ndahej prej Pjetrit e Gjonit, mbarë populli, i mrekulluar, ngarendi tek ata në tremen që quhet e Salomonit. 12 Pjetri, kur i pa, iu drejtua popullit:

“Burra të Izraelit, pse po çuditeni për këtë gjë? Pse po na shikoni thuajse ne me fuqinë tonë dhe me përshpirtërinë tonë kemi bërë që ky të ecë? 13 ‘Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lironte. 14 Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori 15 kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë.

16 Dhe në saje të fesë në Emrin e Jezusit, pikërisht Emri i Jezusit i dha forcë këtij njeriu që ju e njihni e po e shihni. Feja në Të ia ktheu shëndetin e plotë këtij njeriu në sy të të gjithë juve.

17 Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. 18 Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. 19 Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet. 20 Atëherë Zoti do të çojë ditë ngushëllimi e do t’ju dërgojë Mesinë që për ju e kishte paracaktuar, d. m. th. Jezusin. 21 Tani për tani Jezusi duhet të qëndrojë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së gjithmbarshme, për të cilën Hyji ka folur përmes gojës së profetëve të vet të shenjtë ‑ që prej kohërave të lashta.

22 Edhe vetë Moisiu tha: ‘Zoti, Hyji juaj, do të ngrejë prej mesit të vëllezërve tuaj një profet sikurse mua; dëgjojeni atë gjithçka t’ju thotë! 23 Kushdo që s’ka për ta dëgjuar atë Profet, le të çrrënjoset prej popullit.’

24 Po edhe të gjithë profetët ‑ që folën që prejSamuelit e këtej ‑ gjithashtu i paralajmëruan këto ditë.

25 Ju jeni bij profetësh dhe bij të Besëlidhjes që Hyji bëri me etërit tuaj, kur i tha Abrahamit: ‘Në saje të pasardhësve të tu do të bekohen të gjitha fiset e tokës.’ 26 Për ju, pra, më së pari Hyji e ngriti Shërbëtorin e vet dhe e dërgoi për t’ju bekuar ‑ që secili prej jush t’u shmanget veprave të veta të këqija.”

Veprat e Apostujve: 4. Pjetri dhe Gjoni para Këshillit të Lartë

4

1 Ndërsa ata ende po i flisnin popullit, iu afruan disa priftërinj, kryetari i rojës së Tempullit dhe disa saducenj 2 të hidhëruar pse e mësonin dhe pse, në shembullin e Jezusit ‑ shpallnin ngjalljen e të vdekurve. 3 I kapën dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte bërë natë. 4 Ndërkaq, shumë prej atyre që dëgjuan fjalën e tyre, besuan dhe numri i burrave që besuan shkoi në [rreth] pesë mijë vetë.

5 Të nesërmen në Jerusalem u bashkuan në kuvend krerët, priftërinjtë dhe skribët [6 e me ta edhe kryeprifti Ana e Kajfa, Gjoni, Aleksandri dhe të gjithë anëtarët e familjeve të kryepriftërinjve]. 7 Ata i sollën apostujt në mes dhe i pyetën: “Me çfarë pushteti dhe në emër të kujt e bëtë këtë gjë?”

8 Atëherë Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, u tha:

“Kryetarë të popullit dhe pleq! 9 Pasi ju sot po na merrni në gjykim për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua; 10 le ta dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. 11 Jezusi është

‘guri që ju, ndërtues,

e qitët jashtë përdorimit,

por që u bë gur i këndit,’

12 e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”

13 Krerët e pleqtë kur panë guximin e patrandshëm të Pjetrit e të Gjonit e, pasi e dinin se janë njerëz të thjeshtë e të pashkollë, mbetën thellësisht të habitur. E dinin se kishin qenë me Jezusin, 14 por s’dinin ç’t’u thoshin, sepse e shihnin njeriun e shëruar në këmbë afër tyre. 15 Prandaj i urdhëruan të dilnin nga Këshilli e filluan të këshillohen në mes tyre. 16 Thoshin: “Çka të bëjmë me këta njerëz? Kanë bërë mrekulli të qartë, të cilën e pranojnë të gjithë jerusalemasit dhe nuk është punë që mund ta mohojmë. 17 Por, që ngjarja të mos përhapet më tepër në popull, po ua ndalojmë rreptësisht që t’i flasin më ndokujt për atë Emër.”

18 I thirrën brenda dhe i urdhëruan rreptësisht që në të ardhmen askujt të mos i flasin as të mos mësojnë në Emër të Jezusit. 19 Porse Pjetri e Gjoni u përgjigjën: “Gjykoni ju vetë a është e drejtë para Hyjit: të dëgjojmë më parë ju se Hyjin? 20 Ne, veç, nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar!” 21 Ata, pasi i qortuan përsëri, i lanë të shkojnë; ngase nuk gjetën ndonjë arsye pse t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë i jepnin lavdërim Hyjit për mrekullinë që u bë, 22 sidomos pse njeriu që mrekullisht u shërua, kishte kaluar moshën dyzetvjeçare.

Lutja e apostujve në kohën e salvimit

23 Posa i lëshuan, apostujt shkuan te të vetët dhe u treguan çka u thanë kryepriftërinjtë dhe paria e popullit. 24 Ata, kur morën vesh, të gjithë së bashku iu lutën Hyjit kështu:

“O Zot,

Ti krijove qiellin, tokën e detin

dhe gjithçka është në ta!

25 Ti the nëpërmjes Shpirtit Shenjt me gojë të atit tonë Davidit, shërbëtorit tënd:

‘Përse çohen peshë paganët

e përse fiset bëjnë shestime të kota?

26 Mbretërit e dheut po ngrihen kundër,

princat bëjnë besëlidhje

kundër Zotit e kundër të Shuguruarit të tij.’

27 Ja, në këtë qytet, vërtet, bënë lidhje Herodi e Ponc Pilati me paganë e me fiset e Izraelit kundër Jezusit ‑ Shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e shugurove,

28 kështu s’bënë tjetër veçse çka dora jote e vullneti

yt paracaktoi të bëhet.

29 E tani, o Zot,

shih kërcënimin e tyre

e bëj që shërbëtorët e tu

ta shpallin me plot guxim Fjalën tënde!

30 Shtrije dorën tënde

e bëj shërime, shenja të bindshme e mrekulli

me fuqinë e Emrit

të Shërbëtorit tënd të shenjtë,

Jezusit.”

31 Pasi e kryen lutjen, u trand vendi ku ishin të bashkuar, të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe u vunë ta shpallin me guxim Fjalën e Hyjit.

Bashkësia e parë e krishterë

32 Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të vetën çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. 33 Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. 34 Gjithashtu askush prej tyre nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin 35 dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë.

36 Kështu Jozefi, të cilin apostujt e quajtën Barnabë ‑ që do të thotë: biri i ngushëllimit ‑ levit, me prejardhje qipriot, 37 kishte një tokë; e shiti e të hollat ua solli apostujve.

Veprat e Apostujve: 5. Anania e Safira

5

1 Kurse një burrë me emër Anani bashkë me gruan e vet Safirën shiti një arë 2 e, me dije të gruas, ndau një pjesë të çmimit, kurse tepricën e çoi dhe ua dha apostujve. 3 Atëherë Pjetri i tha:

“O Anani, pse ta mbushi mendjen djalli për të gënjyer Shpirtin Shenjt dhe e ndale për vete një pjesë të çmimit të tokës? 4 Derisa s’e shite, a nuk ishte jotja? Po edhe kur e shite, a nuk munde të bëje me çmimin çka deshe? Po, përse atëherë e bëre këtë punë? Nuk gënjeve njerëzit, por Hyjin!”

5 Posa Anania i dëgjoi këto fjalë, ra për tokë dhe i doli shpirti. Një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që dëgjuan. 6 Atëherë u ngritën djelmoshat, e mbështollën me pëlhurë, e çuan dhe e varrosën.

7 Afërsisht pas tri orësh hyri edhe gruaja e tij, e cila nuk dinte çka kishte ndodhur. 8 Pjetri i tha:

“Më thuaj: a e shitët tokën për kaq?”

Ajo iu përgjigj: “Po, aq!”

9 E Pjetri:

“Çka ju gjet që u morët vesh ta vini në provë Shpirtin e Zotit? Ja, në prag të derës janë këmbët e atyre që varrosën burrin tënd! Edhe ty tani po të çojnë!”

10 Aty për aty edhe ajo ra për dhe te këmbët e tij dhe i doli shpirti. Kur djelmoshat hynë, e gjetën të vdekur; e nxorën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.

11 Këto ngjarje bënë një përshtypje të madhe në mbarë Kishën dhe në të gjithë ata që dëgjuan për to.

Apostujt bëjnë shenja të ndryshme e mrekulli

12 Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull...

Të gjithë besimtarët si me marrëveshje e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. 13 Prej të tjerëve askush s’kishte guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. 14 Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, 15 kështu që i nxirrnin në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. 16 Po edhe një turmë e madhe njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin.

Apostujt salvohen nga hebrenjtë

17 Atëherë u ngrit kryeprifti dhe mbarë ata të partisë së tij ‑ sekti i saducenjve. Plot smirë 18 vunë dorë në apostuj dhe i hodhën në burg të përgjithshëm. 19 Natën engjëlli i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori përjashta dhe u tha:

20 “Shkoni në Tempull dhe vazhdoni t’ia kumtoni popullit të gjitha fjalët e kësaj Jete.”

21 Ata dëgjuan dhe, në agim, hynë në Tempull dhe mësonin.

Ndërkaq arriti kryeprifti dhe ndjekësit e tij, thirrën Këshillin e Lartë dhe mbarë parinë e bijve të Izraelit dhe dërguan në burg për të sjellë apostujt. 22 Kur rojtarët mbërritën atje, nuk i gjetën në burg. U kthyen dhe lajmëruan: 23 ”Burgun e gjetëm të mbyllur me kujdes dhe rojtarët bënin rojë para derës, por kur e hapëm, nuk gjetëm askënd brenda.”

24 Komandanti i rojës së Tempullit dhe kryepriftërinjtë kur e dëgjuan lajmin, të habitur, pyesnin: “Çka do të thotë kjo punë?” 25 Atëherë ia behu dikush dhe u tha: “Njerëzit që ju i futët në burg, ja, janë në Tempull e po mësojnë .” 26 Atëherë komandanti shkoi me rojtarë dhe i solli ‑ por jo me dhunë ‑ sepse e kishin frikë se mos i vriste me gurë.

27 Posa i sollën, i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti:

28 “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”

29 Pjetri dhe apostuj u përgjigjën:

“Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. 30 Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. 31 Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. 32 Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”

33 Kur anëtarët e Këshillit i dëgjuan këto fjalë u hidhëruan tepër dhe deshën t’i vrasin. 34 Atëherë u ngrit në Kuvend një farise, me emër Gamaliel, mësues Ligji, të cilin e nderonte mbarë populli. Ky kërkoi të nxirren njerëzit jashtë për një çast. 35 Atëherë u tha këshilltarëve:

“O burra izraelas, mendoni mirë se çka do të bëni me këta njerëz. 36 Nuk ka shumë kohë që u ngrit Teuda dhe pohonte se është njeri me rëndësi: rreth tij u bashkuan afro katërqind vetë. Ai qe vrarë e të gjithë ata që e patën ndjekur, u shpërndanë dhe u asgjësuan. 37 Pas tij, në kohën e numërimit të popullsisë u paraqit Juda Galileas dhe tërhoqi pas vetes një shumicë njerëzish. E vranë edhe atë po edhe të gjithë ndjekësit e tij u shpartalluan. 38 Tashti në këtë rast unë po ju them: ikni nga këta njerëz e lërini të shkojnë! Sepse, në qoftë ajo nismë ose vepër prej njerëzisht, do të mbarojë; 39 porse, në qoftë se vërtet vjen prej Hyjit, s’do të mund ta asgjësoni. Vëriani mendjen të mos bini në luftë kundër Hyjit!”

Ata ia pranuan këshillën. 40 I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, i urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. 41 Apostujt e lanë Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. 42 Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin së mësuari e shpalluri Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.

Veprat e Apostujve: 6. Themelimi i të shtatëve

6

1 Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre. 2 Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë:

“Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. 3 Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, 4 kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht lutjes dhe shërbesës së fjalës.”

5 Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. 6 Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.

7 Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë.

Arrestimi i Shtjefnit

8 Ndërkaq Shtjefni, që ishte plot hir dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha në popull. 9 Po asohere disa prej të ashtuquajturës sinagogë e Libertinëve, Cirenianëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre nga Cilicia dhe Azia u çuan për t’u rragatur me Shtjefnin. 10 Por nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në fuqi të të cilit fliste.

11 Atëherë paguan disa njerëz që thanë: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë fyese kundër Moisiut e kundër Hyjit.” 12 Kështu e ngacmuan e pleqtë e skribët, pastaj iu afruan, e kapën dhe e çuan në Këshill. 13 Aty sollën dëshmitarë të rrejshëm, të cilët thanë: “Ky njeri vazhdimisht flet kundër Vendit të shenjtë dhe kundër Ligjit. 14 Vërtet e dëgjuam duke thënë: ‘Jezusi Nazarenas do ta rrënojë këtë vend dhe do t’i shndërrojë traditat që na i ka lënë Moisiu. ’” 15 Të gjithë ata që ishin në Kuvend i drejtuan sytë nga ai dhe panë se ishte në fytyrë si engjëll.

Veprat e Apostujve: 7. Fjalimi i Shtjefnit

7

1 Atëherë kryeprifti e pyeti Shtjefnin:

“A është ashtu?”

2 Shtjefni u përgjigj:

“Vëllezër dhe etër, dëgjoni! Hyji i lavdishëm iu dëftua Atit tonë Abrahamit kur ende banonte në Mesopotami, para se nguli në Harran 3 dhe i tha:

‘Dil prej dheut tënd

e prej farefisit tënd

dhe shko në tokën që unë do të ta tregoj.’

4 Atëherë Abrahami e la dheun e kaldenjve dhe nguli në Harran. Po edhe nga andej, pasi i vdiq i ati, Hyji e bëri të kalojë në këtë vend, ku ju tani banoni. 5 Këtu nuk i dha në pronë asnjë pëllëmbë toke, por i premtoi, kur ende nuk kishte fëmijë ‑ se do t’ia japë për pronë atij dhe pasardhësit të tij, pas tij. 6 Po ashtu Hyji i tregoi se pasardhësit e tij do të jetojnë në mërgim në dhe të huaj, se do t’i robërojnë dhe do t’i salvojnë për katërqind vjet. 7 Por tha Hyji ‑ unë do ta gjykoj atë popull që ka për t’i skllavëruar. Pastaj do të dalin e do të më adhurojnë në këtë vend: 8 Atëherë bëri me të Besëlidhjen e rrethprerjes. Kur Abrahamit i lindi Izaku, të tetën ditë e rrethpreu; Izaku Jakobin e Jakobi dymbëdhjetë patriarkët.

9 Patriarkët e shitën Jozefin në Egjipt pse e kishin smirë. Por Hyji ishte me të 10 dhe e shpëtoi nga të gjitha ndeshtrashat e i dha hir e urti para faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e bëri qeveritar të Egjiptit e të mbarë oborrit mbretëror. 11 Atëherë u bë zi buke në mbarë Egjiptin e Kanaanin. Ngushtica ishte e madhe e etërit tanë nuk gjenin ushqime. 12 Kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte drithëra, i dërgoi atje herën e parë etërit tanë. 13 Herën e dytë Jozefi iu dëftua vëllezërve të vet dhe faraoni u njoh me prejardhjen e Jozefit. 14 Atëherë Jozefi urdhëroi t’ia sillnin Jakobin, babain e vet, dhe mbarë familjen e tij: shtatëdhjetë e pesë vetë. 15 Jakobi zbriti në Egjipt. Atje vdiq ai dhe etërit tanë. 16 Trupat e tyre qenë mbartur në Sihem dhe u varrosën në varrin që Abrahami e pati blerë me argjend prej bijve të Hemorit në Sihem.

17 Sapo afrohej koha për të shkuar në vend premtimi që Hyji kremtorisht ia kishte bërë Abrahamit, shtohej e shumohej populli ynë, 18 deri kur erdhi në sundim në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin. 19 Ky mbret u soll me dinakëri kundër popullit tonë, i salvonte etërit tanë, aq sa i detyronte t’i braktisin foshnjat që të mos mbetnin gjallë. 20 Po në këtë kohë lindi Moisiu. Ishte hyjnisht i bukur. Për tre muaj qe ushqyer në shtëpinë e t’et. 21 Kur qe braktisur, e mori bija e faraonit dhe e rriti si djalë të vetin. 22 Kështu Moisiu mësoi tërë diturinë egjiptiane. Ishte shumë i zoti në fjalë e në vepra.

23 Kur u bë dyzetvjeçar iu mbush mendja të shkojë e t’i vizitojë vëllezërit e vet, izraelitët. 24 Kur pa se njërit po i bëhej padrejtësi, e mbroi këtë dhe, për t’u hakmarrë për të rrahurin, e vrau egjiptianin. 25 Moisiu mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Hyji do t’u sillte shpëtimin duke u shërbyer me të, por ata nuk e morën vesh. 26 Të nesërmen u pa duke u hyrë ndërmjet atyre që po rriheshin e për t’i pajtuar, u tha: “Burra, jeni vëllezër, pse po rriheni me njëri‑tjetrin?” 27 Por ai që po e rrihte të vëllanë, e shtyri dhe i tha: “Kush të ka vënë ty kryetar dhe gjykatës mbi ne? 28 A mos mendon të më vrasësh edhe mua siç e vrave dje atë egjiptianin?” 29 Për shkak të kësaj fjale Moisiu iku e u strehua në dhe të huaj në tokën e Madianit. Atje pati dy djem.

30 Pas dyzet vjetësh në shkretëtirën e malit Sinaj iu duk një engjëll në flakën e kaçubës së ndezur. 31 Kur e pa Moisiu, u mrekullua për atë farë vegimi. Ndërsa po afrohej për ta vërejtur me kujdes, ja, zëri i Zotit: 32 Unë jam Hyji i etërve të tu, Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Jakobit.’ Moisiun e kapën dridhmat dhe s’kishte guxim të shikojë. 33 E Zoti i tha: ‘Zbathi sandalet prej këmbëve, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. 34 Fort mirë e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, i kam dëgjuar ofshamat e tyre. Zbrita për ta çliruar. Tani nisu! Po të dërgoj në Egjipt!’

35 Pikërisht atë Moisi, të cilin e mohuan duke thënë: ‘Kush të ka vënë të parë dhe gjykatës’ ‑ po atë Hyji e dërgoi kryetar dhe shpëtues me anë të engjëllit që iu dëftua në kaçubë. 36 Ky i nxori prej Egjiptit duke bërë mrekulli dhe shenja të bindshme në tokën e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë gjatë dyzet vjetëve. 37 Moisiu është ai, që u tha bijve të Izraelit: ‘Hyji do t’ju ngrejë një profet si mua nga mesi i vëllezërve tuaj!’ 38 Ky është ai, që, në kohën e Mbledhjes së popullit në shkretëtirë ishte ndërmjetës në mes Engjëllit që i fliste në malin Sinaj dhe etërve tanë, ai që i mori fjalët e jetës për të na i dorëzuar neve. 39 Por etërit tanë nuk deshën t’i nënshtrohen. E mohuan dhe me zemër u kthyen në Egjipt 40 duke i thënë Aronit: ‘Na i bëj hyjnitë që të na prijnë, sepse nuk dimë ç’u bë me Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit.’ 41 Dhe në ato ditë punuan viçin, i kushtuan fli atij idhulli dhe u brohorisnin veprave të duarve të veta. 42 Atëherë Hyji u largua prej tyre dhe i braktisi të nderojnë yjet e qiellit, siç shkruan në Librin e Profetëve:

‘A më kushtuat fli e kushte

për dyzet vjet në shkretëtirë, o bijtë e Izraelit?

43 Jo, por morët tendën e Molohit

dhe yllin e Refanit hyjit (tuaj),

‑ idhuj që vetë i punuat për t’i adhuruar.

Prandaj do t’ju shpërngul përtej Babilonit.’

44 Etërit tanë në shkretëtirë e kishin me vete Tendën e Dëshmisë, siç e caktoi Ai që foli me Moisiun: ta punonte sipas gjedhes që kishte parë. 45 Atë Tendë e morën trashëgim etërit tanë dhe, nën sundimin e Jozuehit, e shtinë në tokën që ua pushtuan paganëve, të cilët Hyji i dëbonte para fytyrës së etërve tanë; kështu ngjau deri në kohën e Davidit. 46 Ky gjeti hir para Hyjit e prandaj lutej që t’i lejohej ta ndërtonte një banesë për Hyjin e Jakobit, 47 megjithëse vetëm Salomoni ia doli t’ia ndërtojë Shtëpinë. 48 Porse i Tejetlarti nuk banon në ndërtesa të punuara me dorë të njeriut, sikurse thotë profeti:

49 ‘Qielli është froni im,

e toka është shtroja e këmbëve të mia.

Çfarë shtëpie do të më ndërtoni ‑ thotë

Zoti ‑ dhe cili do të jetë vendi i pushimit tim?

50 Pse, a nuk i krijoi të gjitha këto dora ime?

51 O njerëz kokëfortë, me zemër e me veshë paganë! Gjithmonë i kundërshtoni Shpirtit Shenjt! Siç ishin etërit tuaj, të tillë jeni edhe ju! 52 Cilin prej profetëve nuk e salvuan etërit tuaj? Etërit i vranë ata që paralajmëruan ardhjen e të Drejtit e të Drejtin ju tani e tradhtuat dhe e vratë; 53 pikërisht ju, që prej duarve të engjëjve e morët Ligjin, por nuk e zbatuat!”

Shtjefnin e mbysin me gurë

54 Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij. 55 Por Shtjefni, plot me Shpirt Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit 56 dhe tha: “Ja, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit.” 57 Atëherë ata lëshuan një britmë të madhe, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. 58 E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Dëshmitarët i ulën petkat te këmbët e një djaloshi që quhej Saul.

59 Dhe ndërsa po e mbytnin me gurë, Shtjefni lutej e thoshte: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” 60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të madh: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë.

Veprat e Apostujve: 8. Sauli salvon Kishën

8

1 Edhe Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shtjefnit.

Sauli salvon Kishën

Po atë ditë u bë salvim i madh kundër Kishës në Jerusalem. Të gjithë, me përjashtim të apostujve, u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë e të Samarisë. 2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Shtjefnin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 3 Ndërkaq, Sauli bënte çmosin për ta asgjësuar Kishën: hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burg.

Predikimi i Ungjillit në Samari

4 Ata, pra, të cilët qenë shpërndarë, shkonin prej një vendi në një vend tjetër dhe predikonin Fjalën. 5 Kështu Filipi zbriti në qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. 6 Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. 7 E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. 8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.

9 Në atë qytet një njeri që quhej Simon për një kohë të gjatë merrej me mjeshtrinë e shortisë dhe e Samarisë e mashtronte duke thënë për vetveten se është njeri i madh. 10 Të gjithë, i madh e i vogël, ishin nën ndikimin e tij dhe thoshin: “Ky njeri është Fuqia hyjnore, ajo që quhet e ‘Madhe’.” 11 E dëgjonin sepse për një kohë të gjatë i mahniste duke bërë shorti të ndryshme. 12 Porse, kur i besuan Filipit që u predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe Emrin e Jezusit Mesi ‑ pranuan të pagëzohen burra e gra. 13 Besoi edhe Simoni dhe, pasi u pagëzua, nuk i ndahej Filipit. Duke parë shenjat dhe mrekullitë që bëheshin, ishte i mahnitur.

14 Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. 15 Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, 16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. 17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt.

18 Kur Simoni pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Shpirti Shenjt, u ofroi apostujve të holla 19 duke thënë:

“Ma jepni edhe mua pushtetin që, kujt t’i vë duart, të marrë Shpirtin Shenjt.”

20 Pjetri iu përgjigj:

“Të hollat e tua dhe ty me to ju marrtë ezezëdita, kur të shkoi mendja se me të holla mund të fitohet dhurata e Hyjit! 21 Ti s’ke as pjesë as trashëgim në këtë gjë, sepse zemra jote s’është e drejtë para Hyjit. 22 Pendohu për këtë mbrapshti dhe lute Zotin se ndoshta të falet synimi i zemrës sate; 23 sepse po shoh se qenke ‘vrer i hidhur’ dhe ‘hekura të së keqes’”.

24 Simoni u përgjigj: “Lutjuni ju Zotit për mua që të mos më ndodhë gjë prej atyre që thatë.”

25 Dy apostujt, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Hyjit, u kthyen në Jerusalem duke ungjillëzuar shumë fshatra të samaritanëve.

Filipi dhe oborrtari nga Etiopia

26 Engjëlli i Zotit iu drejtua Filipit dhe i tha: “Ngrihu e shko në jug udhës që shpie nga Jerusalemi për në Gazë; ajo është e shkretë.” 27 Ai u ngrit dhe shkoi. Dhe ja, një etiopas, oborrtar dhe funksionar i lartë i Kandacës, mbretëreshës së Etiopisë dhe mbarështues kryesor i të gjitha visareve të saj! Kishte qenë për shtegtim në Jerusalem 28 e po kthente. Ndenjur në karrocën e vet, po lexonte Isainë profet. 29 Atëherë Shpirti Shenjt i tha Filipit: “Shpejto e zëre atë karrocë!” 30 Filipi vrapoi dhe e dëgjoi se po lexonte Isainë profet. I tha:

“Vallë a vërtet e merr vesh atë që po lexon?”

31 “E si mundem ‑ iu përgjigj ai ‑ kur nuk e kam atë që të më udhëzojë?” dhe e grishi Filipin të hipte e të ulej afër tij.

32 Pjesa që po lexonte prej Shkrimit të shenjtë ishte kjo:

‘E çuan porsi delen që çohet në thertore,

ishte porsi qengji i pazë në duart e qethësit.

Nuk e çeli gojën e vet.

33 Në përvujtërimin e tij iu mohua e drejta.

Kush do ta përshkruajë fatin e tij?

Sepse jeta e tij hiqet nga toka.’

34 Atëherë oborrtari iu drejtua Filipit: “Të lutem për kë e thotë këtë profeci? Për vetveten apo për ndokënd tjetër?” 35 Atëherë Filipi mori fjalën e, duke u nisur prej këtij teksti të Shkrimit të shenjtë, ia kumtoi Ungjillin e Jezusit.

36 Duke udhëtuar kështu, arritën te një ujë dhe oborrtari tha:

“Qe ujët! Çka më pengon të pagëzohem?”[37]

38 Urdhëroi të ndalet karroca dhe të dy, Filipi e oborrtari, zbritën në ujë e Filipi e pagëzoi. 39 Kur dolën nga ujët, Shpirti i Hyjit e rrëmbeu Filipin dhe oborrtari nuk e pa më. Ai e vazhdoi rrugën e vet me gëzim, 40 kurse Filipi u gjend në Azot. Vazhdoi prej andej udhën duke predikuar Ungjillin nëpër të gjitha qytetet derisa arriti në Cezare.

Veprat e Apostujve: 9. Kthimi i Saulit

9

1 Ndërkaq Sauli, që s’merrte frymë për tjetër veçse për t’u kërcënuar e për vrasje kundër nxënësve të Zotërisë, erdhi te kryeprifti 2 e kërkoi prej tij letrat për sinagogat e Damaskut, në mënyrë që, nëse do të gjejë ndokënd të kësaj Udhe, burra e gra, të mund t’i sjellë të lidhur në Jerusalem.

3 Kur, duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit. 4 U rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha:

“Saul, Saul, pse po më salvon?”

5 Ai pyeti: “Kush je ti, Zotëri?”

E Ai: “Unë jam Jezusi që ti e salvon! 6 Më mirë ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të tregohet se çka duhet të bësh!”

7 Bashkudhëtarët e tij, të habitur, zunë vend pa folur asnjë fjalë, sepse vërtet e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd. 8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte hapur sytë, nuk shihte asgjë. E shtinë në Damask duke e marrë për dore, 9 dhe për tri ditë as nuk pa as nuk hëngri as nuk piu.

10 Në Damask ishte një nxënës që quhej Anani. Këtij Zoti i tha në vegim:

“O Anani!”

“Urdhëro, o Zot” ‑ u përgjigj ai.

11 “Çohu ‑ i tha Zoti ‑ dhe shko në rrugën që quhet: ‘E drejtë’ e në shtëpinë e Judës lype njeriun prej Tarsit që quhet Saul. Ai tani po lutet, 12 dhe e pa [në vegim] një njeri që quhet Anani duke hyrë tek ai dhe duke i vënë duart për t’ia rikthyer dritën e syve.”

13 “O Zot ‑ iu përgjigj Anania ‑ prej shumëkujt kam dëgjuar për atë njeri sa shumë të këqija u ka bërë shenjtërve të tu në Jerusalem. 14 Ai ka edhe fuqizimin prej kryepriftërinjve për të lidhur në hekura të gjithë ata që e thërrasin Emrin tënd.”

15 “Shko ‑ iu përgjigj Zoti ‑ sepse ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. 16 Jo po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim!”

17 Anania shkoi, hyri në shtëpi e, duke ia vënë duart, i tha: “Vëlla Saul, Zotëria Jezus, që t’u dëftua në udhë kur ishe duke ardhur këtu, më dërgoi që ta rifitosh dritën e syve e të mbushesh me Shpirtin Shenjt.”

18 Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u ngrit dhe qe pagëzuar, 19 hëngri dhe u përtëri në fuqi.

Sauli predikon në Damask

I kaloi disa ditë bashkë me nxënës në Damask 20 dhe menjëherë filloi të predikojë në sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit. 21 Të gjithë ata që e dëgjonin, mrekulloheshin e thoshin: “Po a nuk është ky ai që në Jerusalem mundohej t’ua tresë farën atyre që e thërrisnin në ndihmë këtë Emër? Po a nuk erdhi edhe këtu për t’i çuar të lidhur në hekura para kryepriftërinjve?” 22 E Sauli merrte gjithnjë më tepër zotësi dhe i hutonte hebrenjtë që banonin në Damask duke ua vërtetuar se Jezusi është Mesia.

Sauli shpëton nga hebrenjtë

23 Pasi kaloi mjaft kohë, hebrenjtë vendosën ta vrasin Saulin, 24 por Sauli e hetoi synimin e tyre. Ditë e natë hebrenjtë i ruanin dyert e qytetit për ta mbytur, 25 por një natë nxënësit e tij e morën dhe, në një shportë, e zbritën poshtë nëpër mur.

Sauli në Jerusalem

26 Kur erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund ta besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës.

27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, se si Jezusi foli me të dhe se si Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit.

28 Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. 29 U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin.

30 Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars.

31 Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt.

Shërimi i Eneut

32 Pjetri që vizitonte të gjitha vendet, një ditë u ul edhe ndër shenjtërit që banonin në Lidë. 33 Aty gjeti një njeri që quhej Ene, i cili për tetë vjet s’ngrihej nga shtrati: ishte i paralizuar. 34 Pjetri i tha. “Ene, po të shëron Jezu Krishti! Ngrihu dhe rregulloje vetë shtratin tënd!” Ai aty për aty u ngrit. 35 Të gjithë banorët e Lidës e të Saronit e panë mrekullinë dhe besuan në Zotin.

Pjetri ngjall Shutën

36 Jetonte në Jopë një nxënëse e quajtur Tabita, që në gjuhën tonë do të thotë Shutë. Ishte e pasur me vepra të mira dhe me lëmoshë që jepte. 37 Pikërisht në ato ditë u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vendosën në dhomën e sipërme. 38 E, pasi Lida nuk është larg Jopës, nxënësit, kur morën vesh se Pjetri gjendej atje, dërguan dy vetë me këtë lutje: “Mos vono e eja ndër ne.”

39 Pjetri u çua e shkoi me ta. Posa arriti, e çuan në dhomën e sipërme. Atëherë e rrethuan duke qarë të gjitha vejushat dhe i tregonin veshjet dhe petkat që i kishte punuar Shuta kur ende ishte me to. 40 Pjetri i nxori jashtë të gjithë, ra në gjunjë në lutje. Pastaj u soll drejt kufomës dhe tha: “Tabitë, çohu!” Ajo hapi sytë, shikoi Pjetrin dhe u ndreq ndenjur. 41 Pjetri i dha dorën dhe e ngriti. Atëherë thirri shenjtërit dhe vejushat e ua tregoi të gjallë. 42 Mbarë Jopa e mori vesh ngjarjen dhe shumë besuan në Zotërinë.

43 Pjetri qëndroi për një kohë të gjatë në Jopë, në shtëpinë e një lëkurëtari të quajtur Simon.

Veprat e Apostujve: 10. Pjetri dhe Korneli

10

1 Në Cezare ishte një njeri me emër Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, 2 njeri i përshpirtshëm dhe që besonte në Hyjin, si ai ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit.

3 Ai pa qartë në një vegim diku rreth orës nëntë të ditës se si engjëlli i Hyjit hyri tek ai dhe i tha.

“Kornel!”

4 “Urdhëro, Zotëri!” ‑ ia ktheu Korneli duke ia ngulur sytë i frikësuar.

“Lutjet e tua dhe lëmoshët kanë arritur para Hyjit ‑ iu përgjigj engjëlli ‑ dhe ai të ka kujtuar. 5 Ti tani dërgoji disa njerëz në Jopë dhe grishe Simonin që quhet Pjetër. 6 Ai gjendet te një farë Simoni, lëkurëtar, që e ka shtëpinë afër detit.”

7 Posa shkoi engjëlli që foli me të, kapiteni i grishi dy shërbëtorë dhe një ushtarë të përshpirtshëm, prej atyre që i ishin dhënë për shërbim, 8 u tregoi gjithçka dhe i nisi për në Jopë.

9 Të nesërmen, ndërsa këta po bënin rrugë dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri rreth orës gjashtë, u ngjit në tarracë për t’u lutur. 10 U urit dhe dëshiroi të hajë. Ndërsa ata po i përgatitnin ushqimin, kaloi në vegim. 11 Shikonte qiellin e hapur dhe një gjë të papërcaktueshëm, porsi pëlhurë e madhe, të lidhur në katër këndet, që po zbriste nga qielli në tokë. 12 Në të ishin katërkëmbësh të ndryshëm, zvarranikë toke dhe shpendë qielli. 13 Ndërkaq i tha një zë: “Çohu, Pjetër, prej e ha!”

14 “Assesi, o Zot! ‑ iu përgjigj Pjetri ‑ Unë nuk kam shijuar kurrë me gojë kafshë të ndytë e të papastër!”

15 “Çka Hyji ka shpallur të pastër ‑ i tha ai zë të dytën herë ‑ ti mos e quaj të ndytë!”

16 Kjo u përsërit tri herë e atëherë ajo gjë u ngrit në qiell.

17 Ndërsa Pjetri po e vriste mendjen në vetvete se ç’kuptim kishte vegimi që pati, ja, njerëzit e dërguar prej Kornelit, pasi kishin pyetur andej e këndej për shtëpinë e Simonit, ia behën te dera, 18 thirrën dhe pyetën a mos ishte aty mik Simoni që quhet Pjetër.

19 Ndërsa Pjetri gjithnjë po mendonte lidhur me vegimin, Shpirti Shenjt i tha: “Ja, po të kërkojnë disa [dy] burra. 20 Çohu, pra, e shko me ta pa farë dyshimi se unë i kam dërguar.” 21 Pjetri zbriti te njerëzit dhe tha:

“Ja, unë jam ai të cilin kërkoni. Për çka keni ardhur?”

22 Ata iu përgjigjën:

“Kapiten Korneli, njeri i drejtë dhe që beson në Hyjin, për të cilin dëshmon mbarë populli hebre, qe porositur prej një engjëlli të shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e vet për t’i dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”

23 Atëherë Pjetri i ftoi brenda dhe i përbujti.

Të nesërmen u çua dhe shkoi me ta. Disa vëllezër prej Jopës e përcollën Pjetrin. 24 Ditën e dytë arriti në Cezare. Korneli i priste; kishte grishur edhe farefisin e disa miq të ngushtë. 25 Kur Pjetri arriti, Korneli i doli para e, duke rënë ndër këmbët e tij, e adhuroi. 26 Pjetri e ngriti në këmbë dhe i tha: “Çohu në këmbë se edhe vetë jam vetëm njeri!” 27 E, duke biseduar me të, hyri brenda, ku gjeti të bashkuar shumë njerëz, 28 të cilëve u tha:

“Ju e dini mirë se një hebre e ka të ndaluar shoqërimin me të huaj ose t’u hyjë në shtëpi, porse vetë Hyji më mësoi se s’është e lejueshme të quhet i ndytë ose i papastër asnjë njeri. 29 Prandaj, kur më grishët, erdha pa kundërshtuar. Tani dëshiroj të di pse më keni grishur.”

30 “Para katër ditësh ‑ iu përgjigj Korneli ‑ pikërisht në këtë kohë, thosha në shtëpinë time lutjet e orës nëntë, kur ia behu një njeri në petka të shkëlqyeshme, zuri vend para meje 31 dhe tha: ‘Kornel, u vështrua lutja jote dhe u kujtuan lëmoshët e tua para Hyjit. 32 Dërgo, pra ndokënd në Jopë dhe grishe Simonin e quajtur Pjetër. Ai është mik në shtëpinë e Simonit lëkurëtar, afër detit.’ 33 Menjëherë dërgova njerëzit për ty dhe ti bëre mirë që erdhe. Ja, pra, të gjithë jemi bashkuar para Hyjit për të dëgjuar gjithçka Zoti të ka urdhëruar.”

Predikimi i Pjetrit në shtëpinë e Kornelit

34 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha:

“Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, 35 përkundrazi ‑ në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. 36 Ai u dërgoi Fjalën e vet izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. 37 Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 se si Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të. 39 Ne jemi dëshmitarë për gjithçka që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë “duke e varur në shtyllë”! 40 Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë 41 ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. 42 Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. 43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”

Paganët marrin Shpirtin Shenjt

44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predikimin. 45 Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe në paganë u ndikua dhurata ‑ Shpirti Shenjt. 46 Sepse i dëgjuan duke folur gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: 47 “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” 48 Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Atëherë iu lutën të qëndrojë me ta disa ditë.

Veprat e Apostujve: 11. Pjetri përligjet para Kishës në Jerusalem

11

1 Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit në Jude morën vesh se edhe paganët e pranuan fjalën e Hyjit, 2 dhe, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, e sulmonin besimtarët e rrethprerë 3 dhe i thoshin: “Ke hyrë në shtëpi të të parrethprerëve dhe ke ngrënë me ta.”

4 Atëherë Pjetri filloi t’ua shpjegojë fill e për pe krejt ngjarjen.

5 “Isha ‑ tha ‑ në qytet të Jopës në lutje, kur, ja, në vegim, shoh një dukuri: një gjë, porsi një pëlhurë të madhe me katër këndet e lidhura që po zbriste nga qielli te unë. 6 Kur çova sytë dhe vërejta, pashë shtazë tokësore katërkëmbëshe, egërsira, zvarranikë dhe shpendë qielli. 7 Dëgjova edhe zërin që më tha: “Çohu, Pjetër, prej e ha!’ 8 Unë thashë. ‘Kurrsesi, o Zot! Unë askurrë nuk kam shijuar me gojë kafshë të ndytë e të papastër.’ 9 E zëri përsëri prej qielli, së dyti. ‘Çka Hyji pastroi, ti mos e shpall të papastër!’ 10 Kjo u përsërit tri herë, e atëherë gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.

11 Dhe ja, menjëherë erdhën tre njerëz para shtëpisë ku unë isha, të dërguar tek unë prej Cezaresë. 12 Shpirti Shenjt më tha të shkoj me ta pa farë mëdyshjeje. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e njeriut. 13 Ai na tregoi se si e kishte parë engjëllin në shtëpinë e vet, i cili kishte zënë vend para tij, e i kishte pasë thënë: ‘Dërgo në Jopë dhe thirre Simonin që quhet Pjetër 14 e ai do të kumtojë fjalët me anë të të cilave do të shëlbohesh ti dhe mbarë familja jote.’

15 Tashti, posa fillova të flas, zbriti mbi ta Shpirti Shenjt siç pati zbritur mbi ne në fillim. 16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotërisë: ‘Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.’ 17 Nëse, pra, Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë sikurse neve kur e pranuam besimin në Jezu Krishtin Zot, kush isha unë për të penguar Hyjin?”

18 Këto fjalë i qetësuan dhe filluan të lavdërojnë Hyjin duke thënë. “Hyji, pra, edhe paganëve u dhuroi kthimin që shpie në jetë.”

Kisha në Antioki

19 Ndërkaq, ata që u shpërndanë për shkak të salvimit që u bë lidhur me Shtjefnin, arritën deri në Fenici, në Qipro e në Antioki. Këta nuk ua predikuan fjalën tjerëve përveç hebrenjve. 20 Por disa prej tyre, që ishin prej Qipros e prej Cirenës, kur erdhën në Antioki, filluan t’u predikojnë edhe grekëve e t’ju kumtojnë si Lajm të mirë: Jezusi është Zot. 21 Dora e Zotit u ndihmonte e shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti.

22 Lajmi i këtyre ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki.

23 Kur ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin. 24 Ky ishte njëmend njeri i mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër i madh njerëzish iu shtua Zotit.

25 Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për të gjetur Saulin. 26 Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vit qëndruan në atë bashkësi duke mësuar një shumicë shumë të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën “të krishterë.”

27 Në ato ditë disa profetë zbritën prej Jerusalemit në Antioki. 28 Njëri prej tyre që quhej Agab, u ngrit dhe, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, parakallëzoi që së shpjeti do të ndodhë në mbarë botën një uri e madhe. Kjo vërtet ngjau në kohën e sundimit të Klaudit. 29 Prandaj vendosën që, sa të mundet secili prej nxënësve të mbledhë për t’u çuar ndihmë vëllezërve në Jude. 30 Ashtu edhe bënë. Ndihmën ua dërguan udhëheqësve me anë të Barnabës e të Saulit.

Veprat e Apostujve: 12. Jakobin e vrasin dhe Pjetrin e burgosin

12

1 Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. 2 Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. 3 E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin (ishin ditët e Bukëve të pabrume).

4 E pasi e kapi, e futi në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që pas pashkëve ta qesë para popullit.

5 Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por lutja e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të.

Lirimi i Pjetrit nga burgu

6 Atë natë, para ditës që Herodi kishte caktuar ta nxirrte para popullit, Pjetri flinte mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun. 7 Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. 8 Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Vishe petkun tënd dhe eja pas meje!” 9 Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim. 10 Kaluan rojën e parë edhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij.

11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej gjithçka që priste populli i judenjve.”

12 Posa u mendua pakëz, u nis drejt shtëpisë së Marisë, nënës së Gjonit që quhet Mark, ku shumë ishin bashkuar në lutje. 13 Ky trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore, me emrin Rozë, u afrua për të hetuar kush ishte. 14 Si e njohu zërin e Pjetrit, prej gëzimit as nuk ia çeli derën, por u kthye turravrap brenda dhe lajmëroi se ishte Pjetri pas dere.

15 “Ti je e marrë!” ‑ i thanë ata, por ajo pohonte se ashtu ishte. Atëherë ata thanë: “Do të jetë, pra, engjëlli i tij.” 16 Pjetri vazhdonte trokitjen. Kur e hapën derën dhe e panë, u mrekulluan. 17 Ai u dha shenjë me dorë, që të heshtnin, u tregoi si Zoti e nxori nga burgu dhe shtoi: “Tregojini Jakobit dhe vëllezërve!” Atëherë doli e shkoi në një vend tjetër.

18 Kur zbardhi drita, u bë një pështjellim jo i vogël në mes të ushtarëve: vallë, ç’u bë Pjetri? 19 Herodi zuri ta kërkojë e, kur nuk e gjeti, pasi i mori në pyetje rojtarët, dha urdhër të vriteshin. Atëherë zbriti nga Judeja në Cezare e aty banoi.

Vdekja e Herodit

20 Herodi ishte shumë i zemëruar kundër tirëve e sidonëve. Ata erdhën së bashku e, pasi e përfituan për vete Blastën, oborrtarin e mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet prej territorit të mbretit. 21 Ditën e caktuar, Herodi, i veshur me petkun mbretëror, hipi në fron dhe po u fliste. 22 Populli i brohoriste: “Është zë i një hyji e jo i një njeriu!” 23 Por aty për aty, engjëlli i Zotit e ndëshkoi, sepse nuk i dha lavdërim Hyjit e, i brejtur nga krimbat për së gjalli, vdiq.

24 Ndërkaq fjala e Hyjit rritej e shtrihej. 25 Barnaba e Sauli, pasi e kryen misionin e vet në Jerusalem, u kthyen duke marrë me vete Gjonin, që quhet Mark.

Veprat e Apostujve: 13. Misioni i Barnabës e i Saulit

13

1 Në kishën vendase të Antiokisë kishte disa profetë e mësues. Ishin Barnaba, Simoni, i quajtur Niger, Luci prej Cirenës, Manaeni, që kishte qenë edukuar bashkë me Herodin tetrark dhe Sauli. 2 Një ditë, ndërsa po kryenin shërbesën hyjnore e po agjëronin, Shpirti Shenjt tha: “M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam thirrur.” 3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lejuan të shkojnë.

Apostujt predikojnë në Qipro

4 Barnaba, pra, e Sauli, të dërguar prej Shpirtit Shenjt, zbritën në Seleuci e, prej andej, lundruan për Qipro. 5 Kur arritën në Salaminë, filluan të predikojnë fjalën e Hyjit në sinagogat e judenjve. Me vete kishin edhe Gjonin si ndihmës.

6 Pasi e përshkuan mbarë ishullin deri në Paf, takuan atje një njeri, magjistar, profet të rrejshëm judeas, që quhej Barjesu, 7 e i përkiste rrethit të prokonsullit Sergj Paulit, që ishte njeri i mençur. Ky i fundit i grishi Barnabën e Saulin dhe shprehu dëshirën të dëgjojë fjalën e Hyjit. 8 Porse u kundërshtoi Elimi, magjistari ‑ këtë kuptim ka emri i tij ‑ duke u munduar ta largojë prokonsullin prej fesë. 9 Atëherë Sauli, që quhet edhe Pal, plot me Shpirt Shenjt, ia nguli sytë 10 dhe i tha: “O njeri plot gënjeshtra e dredhi, bir i djallit, armik i betuar i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së shtrembëruari udhët e drejta të Zotit? 11 Ja, pra, tani dora e Zotit mbi ty: do të verbohesh e deri në urdhrin tjetër, nuk do ta shohësh më dritën e diellit!” Aty për aty ra mbi të terr e errësirë: ecte andej e këndej duke kërkuar t’ia japë ndokush dorën. 12 Kur prokonsulli pa se çka ngjau, besoi i bindur plotësisht në mësimin e Zotit.

Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë

13 Nga Pafi, ku hipën në barkë, Pali e shokët e tij, arritën në Pergë të Pamfilisë. Gjoni u nda prej tyre dhe ktheu në Jerusalem. 14 Ata u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën. 15 Pas leximit të Ligjit dhe të Profetëve, përgjegjësit e sinagogës dërguan t’u thonë: “Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë ngushëllimi për t’ia drejtuar popullit, flisni!” 16 Atëherë Pali u ngrit, dha shenjë me dorë e tha:

“Burra izraelas dhe ju që besoni në Hyjin, dëgjoni! 17 Hyji i këtij populli ‑ i Izraelit ‑ i zgjodhi etërit tanë. Ai e bëri të madh këtë popull kur ende ishte në dheun e huaj, në tokën e Egjiptit, dhe me dorë të pushtetshme e nxori nga ajo. 18 Afërsisht për dyzet vjet e rrethoi me kujdes në shkretëtirë. 19 Pastaj, pasi i zhduku shtatë kombësi në tokën e Kanaanit, ua dha në pronë me short tokën e tyre: 20 kjo zgjati reth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha Gjyqtarët ‑ deri te Samueli profet. 21 Atëherë kërkuan mbretin dhe Hyji për dyzet vjet u dha Saulin, birin e Kishit, prej fisit të Beniaminit. 22 Pastaj, pasi hoqi këtë, për mbret u ngriti Davidin, për të cilin edhe dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithçka dua unë.’

23 Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. 24 Para ardhjes së Jezusit Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. 25 E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen, ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet.’

26 Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju të tjerët që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi. 27 Sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e pranuan Jezusin dhe, duke e dënuar me vdekje, i çuan në vend fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. 28 Edhe pse nuk gjetën në të kurrfarë arsyeje për ta dënuar, kërkuan prej Pilatit që të vritej. 29 Pasi kryen gjithçka shkruan për të, e ulën nga kryqi dhe e shtinë në varr. 30 Porse Hyji e ngjalli prej të vdekurish. 31 Jezusi iu dëftua i gjallë për shumë ditë atyre që bashkë me të qenë ngjitur prej Galilesë në Jerusalem, të cilët [tani] janë dëshmitarët e tij para popullit.

32 E ne u shpallim Lajmin e Gëzueshëm se premtimin që Hyji ua pati dhënë etërve 33 na e plotësoi neve, bijve të tyre, duke e ngjallur Jezusin, siç shkruan në Psalmin e dytë:

‘Ti je biri im,

unë sot të linda.’

34 Se e ngjalli prej të vdekurish dhe se kurrë më nuk do të kalbet, e ka thënë me këto fjalë:

‘Juve do t’jua plotësoj premtimet e sigurta dhënë Davidit.’

35 Për këtë arsye edhe thotë në një vend tjetër:

‘Ti s’do ta lësh Shenjtin tënd

të kalbet.’

36 Tani, Davidi, pasi në jetën e vet u shërbeu planeve të Hyjit, vdiq dhe qe varrosur pranë etërve të vet, dhe trupi i tij u kalb, 37 kurse Jezusi, të cilin Hyji e ngjalli, nuk u kalb. 38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpër Këtë ju kumtohet falja e mëkateve [dhe] në gjithçka nuk qe e mundur të shfajësoheni me anën e Ligjit të Moisiut, 39 me anën e Jezusit, secili që beson shfajësohet.

40 Vëriani mendjen të mos të plotësohet në ju çka qe thënë në Profetë:

41 “‘Shikoni, o përbuzës,

mrekullohuni e zhdukuni!

Sepse unë do ta bëj një vepër të atillë në ditët tuaja,

vepër të cilën s’do ta besonit, po t’jua tregonte ndokush. ’”

42 Kur po dilnin jashtë i lutnin që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këtë gjë. 43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit.

44 Të shtunën e ardhshme ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. 45 Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit. 46 Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, pasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve. 47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria:

‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët,

që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës.’

48 Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndienin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë. 49 E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë.

50 Por hebrenjtë ngacmuan disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre. 51 Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon. 52 Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt.

Veprat e Apostujve: 14. Pali e Barnaba në Ikon

14

1 Gjithashtu edhe në Ikon hynë në sinagogën e hebrenjve. Folën aq mirë sa që një shumicë e madhe hebrenjsh e grekësh e pranuan besimin.

2 Porse hebrenjtë që nuk e pranuan besimin, i ngacmuan dhe i çuan peshë paganët kundër vëllezërve.

3 Megjithatë Pali e Barnaba u ndalën aty për një kohë të gjatë, të mbështetur në ndihmën e Zotit, i cili e dëshmonte fjalën e hirit të vet duke premtuar që përmes duarve të tyre të bëheshin mrekulli dhe shenja të çuditshme.

4 Banorët e qytetit u ndanë: njëra pjesë ishte me hebrenj e pjesa tjetër me apostuj. 5 Paganët dhe hebrenjtë me krerët e vet u bënë gati për t’i salvuar apostujt e për t’i vrarë me gurë. 6 Apostujt, kur e morën vesh, ikën në qytete të Likaonisë: në Listër, në Derbë e në rrethina. 7 Atje vazhduan predikimin e Ungjillit.

Pali e Barnaba në Listër

8 Ishte në Listër një njeri i sëmurë këmbësh, çalaman që prej lindjes, i cili kurrë nuk kishte ecur. 9 Ky e dëgjoi Palin duke folur. Pali ia hodhi sytë e, duke parë se ka fe për të qenë shëruar, 10 i tha me zë të lartë: “Drejtohu në këmbët e tua!” Ai i dha vetes dhe eci. 11 Turma, kur pa çka bëri Pali, bërtiti në gjuhë likaone: “Hyjnitë kanë zbritur ndër ne në trajtën e njerëzve” 12 Barnabën e quajtën Zeus e Palin Hermes, sepse Pali fliste.

13 Atëherë prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte para dyerve të qytetit, solli para derës së qytetit mëzetër e kurorë e bashkë me qytetarë deshi të flijojë. 14 Kur morën vesh apostujt, Barnaba e Pali, i shqyen petkat e veta e hynë mes popullit duke bërtitur. 15 ”Ç’po bëni kështu, bre burra!? Po edhe ne jemi njerëz të vdekshëm si ju! Ne ju predikojmë të ktheheni prej këtyre kotësive kah Hyji i gjallë, i cili krijoi qiellin e tokën, detin e gjithçka është në ta. 16 Në breznitë e shkuara ai i la mbarë paganët të ndjekin udhët e tyre. 17 Megjithatë nuk e la pa e dëshmuar veten me anë të bamirësive: ju dërgoi nga qielli shi e stinë të begatshme, ju mbushi me ushqime e zemrat tuaja i mbushi me gëzime.” 18 Duke folur kështu mezi e ndalën që të mos u kushtojnë fli.

19 Ndërkaq arritën disa hebrenj prej Antiokisë e prej Ikonit dhe e çuan peshë . E gjuajtën me gurë Palin, e qitën zvarrë jashtë qytetit duke kujtuar se kishte vdekur. 20 Por, kur e rrethuan nxënësit, ai u drejtua dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.

Kthimi në Antioki të Sirisë

21 Pasi e kumtuan Lajmin e gëzueshëm në atë qytet, dhe, pasi bënë një numër të madh nxënësish, kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. 22 I përforconin zemrat e nxënësve në qendresë të fesë, sepse ‑ thoshin ‑ na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. 23 Pasi luteshin e agjëronin, secilës kishë i emëronin udhëheqësin dhe ia porositnin Zotit, në të cilin kishin besuar.

24 Atëherë kaluan nëpër Pisidi e erdhën në Pamfili. 25 Pasi e predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali. 26 Aty hipën në barkë e udhëtuan për Antioki, prej nga patën qenë dërguar të porositur hirit të Hyjit për veprën që kryen.

27 Kur arritën, bashkuan Kishën dhe treguan gjithçka Hyji bëri me anë të tyre dhe se si Hyji ua hapi paganëve derën e fesë.

28 Këtu qëndruan për një kohë të gjatë bashkë me nxënës.

Veprat e Apostujve: 15. Koncili i Jerusalemit

15

1 Ndërkaq zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shëlboheni.”

2 U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen.

3 Kisha e Antiokisë u dha çka u nevojitej për udhëtim. Ata, duke kaluar nëpër Fenici e Samari, u treguan vëllezërve për kthimin e paganëve në fe duke u dhënë kështu gëzim të madh. 4 Kur arritën në Jerusalem, qenë pritur mirë prej kishës, prej apostujve dhe prej pleqve. Ata treguan gjithçka Hyji bëri me anë të tyre.

5 Atëherë u ngritën disa farisenj që e kishin pranuar fenë dhe thanë: “Paganët e pagëzuar duhet të rrethpriten e të urdhërohen që ta mbajnë Ligjin e Moisiut.”

6 Kështu apostujt e pleqtë u bashkuan në kuvend për ta ndarë çështjen. 7 Pas një rragatjeje të gjatë, u ngrit Pjetri dhe u tha:

“Vëllezër, ju e dini mirë se, që prej ditëve më të para, këtu në ju, më zgjodhi mua Hyji, që prej gojës sime ta dëgjojnë paganët fjalën e Ungjillit e të besojnë. 8 Hyji që njeh zemrat bëri dëshmi për ta duke u dhënë edhe atyre si neve Shpirtin Shenjt. 9 Ai, pra, nuk bëri kurrfarë dallimi mes nesh e tyre: me anë të fesë i pastroi zemrat e tyre. 10 Atëherë, përse po e sprovoni Hyjin duke u vënë nxënësve në qafë zgjedhën, të cilën as etërit tanë as neve nuk mundëm ta mbartim? 11 E në fund ne besojmë se shëlbohemi pikërisht sikurse edhe ata, në saje të hirit të Jezusit Zot.”

12 Mbarë mbledhja ra në heshtje. Dëgjonin Barnabën e Palin, të cilët tregonin sa shenja e mrekulli kishte bërë Hyji me anën e tyre ndër paganët.

13 Kur ata heshtën, fjalën e mori Jakobi e tha:

“Më dëgjoni, vëllezër! 14 Simoni shpjegoi se si Hyji, që në fillim, u kujdesua të përftojë prej paganëve një popull për Emër të vet. 15 Kjo gjë është në përkim me fjalët e profetëve, sikure është shkruar:

16 ‘Pastaj do të kthehem

dhe do ta rindërtoj tendën e rrëzuar të Davidit,

do t’i rëndërtoj rrënojat e saj,

përsëri do ta ngre

17 që edhe njerëzit të tjerë ta kërkojnë Zotin

dhe mbarë paganët, mbi të cilët u thirr Emri im,

thotë Zoti që i bën këto 18 të njihen që prej amshimit.

19 Prandaj, unë mendoj, se nuk është mirë që t’i mërzisim ata që kthehen prej paganizmit kah Hyji. 20 Por t’u porositet të ruhen prej mishit të flijuar idhujve, prej fëlligështisë, prej mishit të kafshës së furur apo të mbytur në ujë e prej gjakut, 21 sepse Moisiu ka, që prej kohëve më të lashta, në çdo qytet predikatarët e vet, të cilët e lexojnë çdo të shtunë në sinagoga.”

Shpallja e Koncilit

22 Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan: Juda që quhet Barsabë dhe Sila, njerëz me rëndësi në vëllezër. 23 Me anë të tyre u dërguan këtë letër:

“Apostujt dhe pleqtë,

vëllezërit, vëllezërve të kthyer prej paganëve,

në Antioki, në Siri e në Cilici,

përshëndetje!

24 Pasi morëm vesh se disa prej tanëve ‑ por pa lejen tonë ‑ [erdhën] ju trazuan me disa fjalë dhe jua shqetësuan shpirtin, 25 ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, 26 njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. 27 Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. 28 Përfunduam, pra, që Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: 29 të ruheni prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.”

30 Të dërguarit, pra, u përshëndetën dhe u nisën për Antioki, ku mblodhën bashkësinë dhe ia dorëzuan letrën. 31 Kur e lexuan, të gjithë mbetën të kënaqur për fjalët ngushëlluese. 32 Juda e Sila, që edhe ata vetë ishin profetë, folën gjatë për t’u dhënë vëllezërve zemër dhe i përforcuan. 33 Pasi kaluan aty disa kohë, vëllezërit i përcollën me përshëndetje paqeje tek ata që i kishin pasë dërguar. [34]

35 Pali e Barnaba zunë vend në Antioki duke mësuar e duke predikuar Ungjillin e Zotit bashkë me shumë të tjerë.

Pali e Barnaba ndahen

36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: “Të kthehemi e t’i vizitojmë vëllezërit në të gjitha qytetet ku kemi predikuar fjalën e Zotit e të shohin si janë.” 37 Barnaba donte ta merrte me vete Gjonin që quhet Mark, 38 por Pali s’ishte i mendimit të marrë me vete atë, që ishte ndarë në Pamfili e nuk kishte qenë në mision me ta. 39 Lindi në mes tyre një mosmarrëveshje sa që u ndanë njëri prej tjetrit: Barnaba mori me vete Markun e shkoi me barkë për Qipro, 40 kurse Pali mori me vete Silën dhe, i porositur hirit të Zotit prej vëllezërve, 41 e përshkoi Sirinë e Cilicinë duke i përforcuar Kishat.

Veprat e Apostujve: 16. Timoteu shoqëron Palin e Silën

16

1 Atëherë Pali arriti në Derbë e në Listër. Atje ishte një nxënës, me emër Timote, biri i një hebrejeje të pagëzuar dhe i një greku. 2 Vëllezërit prej Listrës dhe prej Ikonit flisnin shumë mirë për të. 3 Pali dëshironte që ai të shkojë me të, prandaj e mori e, për shkak të hebrenjve që ishin në ato vende, e rrethpreu, sepse të gjithë e dinin se e kishte babain grek.

4 E nëpër qytetet që kalonin i njoftonin besimtarët me vendimet që kishin marrë apostujt e pleqtë e Jerusalemit dhe i porositnin t’i mbanin.

5 Kështu Kishat forcoheshin në fe dhe dita ditës rriteshin në numër.

Pali sheh në vegim maqedonasin

6 E kaluan Frigjinë dhe krahinën e Galacisë sepse Shpirti Shenjt ua ndaloi ta predikojnë fjalën në Azi. 7 Kur arritën në kufijtë e Mizisë, deshën të hyjnë në Bitini, por ua ndaloi Shpirti i Jezusit. 8 Atëherë kaluan vetëm nëpër Mizi e zbritën në Troadë.

9 Një natë Pali pati këtë vegim: një burrë maqedonas po qëndronte para tij dhe i bëri këtë lutje: “Kalo në Maqedoni e na ndihmo!”

10 Pas këtij vegimi u munduam që menjëherë të kalojmë në Maqedoni, të bindur se Hyji na thërret që t’u predikojmë Ungjillin.

Kthimi në besim i Lidisë

11 Lundruam, pra, prej Troadës dhe u nisëm drejt Samotrakës e të nesërmen për Neapol. 12 Prej andej në Filipe ‑ qytet kryesor i asaj province të Maqedonisë, i banuar prej romakësh. Në këtë qytet zumë vend disa ditë. 13 Të shtunën dolëm jashtë derës së qytetit, në breg të lumit, ku e çmonim se do të bashkohen në lutje. U ulëm e zumë t’u predikojmë disa grave që ishin mbledhur. 14 Po dëgjonte kështu njëra prej tyre që e kishte emrin Lidi, grua që besonte në Hyjin, shitëse stofrash të purpurtë prej qytetit të Tiatirit. Kësaj Zoti ia hapi zemrën dhe pranoi çka thoshte Pali. 15 Kur e mori pagëzimin ajo dhe familja e saj, ajo edhe na u lut: “Nëse më çmoni se jam besimtare e vërtetë e Zotit, ejani e banoni në shtëpinë time.” Na u desh të shkojmë.

Palin e Silën i burgosin në Filipe

16 Një ditë, ndërsa po shkonim për t’u lutur, na takoi një skllave që kishte shpirtin e magjisë, dhe, duke ushtruar mjeshtrinë e magjisë, zotërinjve të vet u sillte shumë fitesë. 17 Kjo skllave shkonte pas Palit e pas nesh dhe bërtiste: “Këta njerëz janë shërbëtorët e të Lartit Perëndi; këta ju shpallin udhën e shëlbimit!” 18 Bënte kështu për shumë ditë e dikur e mërziti Palin, ky u soll drejt saj dhe i urdhëroi shpirtit: “Po të urdhëroj në Emër të Jezu Krishtit, dil prej saj!” Dhe aty për aty doli prej saj.

19 Kur zotërinjtë e saj panë se u humbi shpresa e fitesës së tyre, i kapën Palin e Silën e i çuan në treg para krerëve të qytetit; 20 e duke i nxjerrë para pretorëve, thanë: “Këta njerëz po na e trazojnë qytetin. Janë judenj 21 dhe shtrijnë zakone, të cilat ne, romakët, nuk mund t’i pranojmë as nuk mund t’i zbatojmë.” 22 Turma e popullit u turr kundër tyre. Pretorët, pasi ua hoqën petkat, urdhëruan të rrahen me frushkuj. 23 Pasi i rrahën e i copëtuan i hodhën në burg dhe i urdhëruan rojtarit t’i ruajë me kujdes të madh. 24 Ky, pasi mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën e brendshme të burgut dhe këmbët ua lidhi në pranga.

25 Rreth mesnate Pali e Sila luteshin duke i kënduar Hyjit himne. Të burgosurit i dëgjonin. 26 Kur, papritmas, u bë tërmet i rëndë, sa që u lëkundën themelet e burgut, përnjëherë u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve u ranë prangat. 27 Rojtari i burgut u zgjua e, kur i pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e, duke kujtuar se i kanë ikur të burgosurit, deshi të vrasë veten. 28 Por Pali bërtiti me sa zë pati: “Mos i bëj gjë të keqe vetes sepse të gjithë jemi këtu!”

29 Ai lypi dritën, hyri vrik brenda, ra duke u dridhur para Palit e Silës 30 dhe, pasi i nxori jashtë, u tha: “Zotërinj, çka duhet të bëj për t’u shëlbuar?” 31 “Beso në Jezusin Zot ‑ i thanë ata ‑ dhe do të shëlbohesh ti edhe familja jote.” 32 Dhe i predikuan fjalën e Zotit atij e mbarë familjes së tij.

33 Po në atë orë të natës rojtari i mori, ua lau plagët e menjëherë u pagëzua ai dhe të gjithë të tijtë. 34 Atëherë i futi në shtëpi, u shtroi tryezën dhe me të gjithë anëtarët e familjes u gëzua që kishte besuar në Hyjin.

35 Pretorët, kur zbardhi drita, dërguan liktorët për t’i thënë rojtarit të burgut:

“Lëshoji ata njerëz!”

36 Roja i burgut ia përcolli këto fjalë Palit:

“Pretorët kanë urdhëruar t’ju lëshoj! Dilni, pra, tani e shkoni në paqe!”

37 Por Pali tha:

“Botërisht na kanë frushkulluar pa na pasë gjykuar, ne, që jemi nënshtetas romakë, dhe na kanë futur në burg! E tani duan fshehtas të na lirojnë? Assesi! Por le të urdhërojnë e të vijnë vetë të na lëshojnë!”

38 Liktorët i lajmëruan pretorët për këto fjalë. Ata, kur morën vesh se ishin nënshtetas romakë, u trembën. 39 Prandaj erdhën për t’ju t’u kërkuar ndjesë, i nxorën nga burgu dhe i lutën ta lënë qytetin. 40 Pali e Sila, si dolën nga burgu, shkuan në shtëpi të Lidisë, i panë vëllezërit, u dhanë zemër e shkuan.

Veprat e Apostujve: 17. Trazirë në Selanik

17

1 Duke kaluar nëpër Amfipol e Apoloni, mbërritën në Selanik, ku hebrenjtë kishin një sinagogë. 2 Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe për tri të shtuna rresht rragatej me ta në bazë të Shkrimit të shenjtë 3 duke ua shtjelluar e vërtetuar se Mesisë i është dashur të pësojë e të ngjallet prej së vdekuri. “Dhe Mesia ‑ u thoshte ‑ është Jezusi, të cilin unë jua predikoj.” 4 Disave prej tyre iu mbush mendja dhe u bashkuan me Palin e me Silën. Po ashtu bëri edhe një shumicë e madhe grekësh që besonin në Hyjin edhe jo pak gra të përmendura.

5 Porse judenjtë, të nxitur nga smira, i bënë për vete disa rrugaçë të këqij tregjesh, i ngacmuan dhe e çuan peshë qytetin, ranë para derës së Jasonit dhe kërkuan që Pali e Sila të nxirreshin para popullit. 6 Pasi nuk i gjetën, morën Jasonin e disa vëllezër dhe i çuan para krerëve të qytetit dhe bërtitën: “Ja, edhe këtu njerëzit që e kanë çuar peshë mbarë botën, 7 e Jasoni i pranon në shtëpi! Të gjithë këta veprojnë kundër urdhrave të Cezarit. Këta pohojnë se është një mbret tjetër ‑ Jezusi.” 8 Kështu e përzien dhe krerët e qytetit që po i dëgjonin këto fjalë. 9 Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve dorëzaninë, i lëshuan.

Apostujt në Berejë

10 Vëllezërit atëherë, shpejt e shpjet, natën, i dërguan Palin e Silën në Berejë. Apostujt, kur arritën atje, shkuan në sinagogë të hebrenjve. 11 Këta ishin më zemërmirë se hebrenjtë e Selanikut. Pranuan fjalën me gatishmëri dhe përditë e shqyrtonin Shkrimin e shenjtë pale a është ashtu. 12 Shumë prej tyre e pranuan fenë. Po ashtu edhe prej grekëve disa gra bujare dhe jo pak burra.

13 Por, kur hebrenjtë e Selanikut morën vesh se Pali po e shpallte fjalën e Hyjit edhe në Berejë, shkuan edhe atje dhe e përzien dhe e çuan peshë edhe atje.

14 Atëherë vëllezërit e pëcollën Palin deri në det. Sila e Timoteu zunë vend aty. 15 Ata që e përcollën Palin e çuan deri në Athinë. Atëherë u kthyen prapa me urdhër për Silën e Timoteun që të shkojnë sa më parë tek ai.

Pali në Athinë

16 Ndërsa Pali po i priste ata në Athinë, thellësisht u shqetësua në shpirt sepse e shihte qytetin plot me idhuj. 17 Në sinagogë diskutonte me hebrenj dhe me ata që besonin në Hyjin, ndërsa në treg për çdo ditë me ata që takohej. 18 Me të diskutonin edhe disa filozofë epikurenj e stoikë. Disa thoshin: “Çfarë dëshiron të thotë ky papagal?” Disa të tjerë prapë: “Duket se është predikatar hyjnish së huaja!” Sepse predikonte Jezusin dhe ngjalljen nga vdekja.

19 Atëherë e morën dhe e çuan në Areopag dhe i thanë: “A mund ta dimë cili është ky mësim i ri që ti po e mëson? 20 Sepse po na i mbush veshët me disa gjëra të çuditshme. Dëshirojmë ta dimë për çka është fjala!”

21 Të gjithë athinasit dhe të huajt që banojnë aty në asgjë tjetër s’e tresin kohën sa në të treguar e në të dëgjuar të lajmeve të fundit.

22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha:

“Qytetarë të Athinës! Po shoh se në çdo pikëpamje qenkeni njerëz shumë besimtarë. 23 Sepse, duke kaluar e vërejtur monumentet tuaja të kultit hyjnor, gjeta edhe një lter, në të cilin është shkruar: ‘Hyjit të panjohur.’ Pra, Atë, të cilin ju e nderoni pa e njohur, unë jua kumtoj.

24 Hyji që krijoi botën dhe gjithçka është në të, Zotëruesi i qiellit e i dheut, Ai as nuk banon në tempuj të punuar me duar të njerëzve, 25 as nuk i shërbejnë duart e njerëzve ‑ thuajse ka ndonjë farë nevoje për çfardo gjëje ‑ Ai që u jep të gjithëve jetën, frymën e çdo gjë tjetër. 26 Prej një njeriu krijoi mbarë gjininë njerëzore, që ta banonte mbarë sipërfaqen e dheut; caktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre: 27 që ta kërkojnë Hyjin e në ndonjë mënyrë të mund ta gjejnë. Ai nuk është larg asnjërit prej nesh. 28 Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse edhe disa prej poetëve tuaj thanë:

‘Sepse jemi prej rodit të tij.’

29 Nëse, pra, jemi prej rodit të Hyjit, atëherë s’bën të mendojmë se Hyjnia është e ngjashme me arin, me argjendin e me gurin e punuar nga mjeshtria dhe arti i njeriut.

30 Dhe Hyji, duke mos i marrë parasysh kohët e padijes, tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi, 31 sepse Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën me anë të një Njeriu, të cilin e caktoi për këtë gjë dhe e përforcoi para të gjithëve duke e ngjallur nga të vdekurit.”

32 Kur dëgjuan “Të ngjallurit e të vdekurve”, disa e përqeshën e disa të tjerë i thanë: “Në lidhje me këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër!”

33 Kështu Pali u largua prej tyre. 34 Megjithatë, disa ia pëlqyen fjalën dhe besuan. Ndër ta ishte Dionizi Areopagit, një grua me emër Damarë dhe disa të tjerë.

Veprat e Apostujve: 18. Pali në Korint

18

1 Pastaj Pali e la Athinën e shkoi në Korint.

2 Aty gjeti një çifut që quhej Akuil, me prejardhje nga Ponti, që posa kishte arritur prej Italisë me Prishilën, bashkëshorten e tij, sepse Klaudi kishte pasë dhënë urdhër ta linin Romën të gjithë hebrenjtë. Pali shkoi te ta 3 e, pasi kishin të njëjtën zeje, banonte te ta dhe punonte. Ishin mjeshtër tendash. 4 Pali çdo të shtunë e merrte fjalën në sinagogë dhe mundohej t’i bindë hebrenjtë e grekët.

5 Kur Sila e Timoteu arritën prej Maqedonisë, Pali iu kushtua krejtësisht fjalës, duke dëshmuar para hebrenjve se Jezusi është Mesia. 6 Por, pasi ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi petkat dhe u tha: “Gjaku juaj mbi kokën tuaj! Unë nuk kam faj! Që tani unë po u drejtohem paganëve!” 7 U largua prej andej dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu që besonte në Hyjin. Ky quhej Ticje Just, shtëpia e të cilit ishte afër sinagogës. 8 Krispi, kryetari i sinagogës, besoi në Zotin, ai dhe krejt familja e tij. Po edhe shumë korintas, duke dëgjuar Palin, pranonin besimin dhe pagëzoheshin.

9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: “Mos u tremb, por fol e mos hesht! 10 Unë jam me ty! Askush s’do të guxojë të vërë dorë në ty për të salvuar, sepse në këtë qytet kam një popull të madh!”

11 Kështu Pali zuri vend aty një vit e gjashtë muaj duke predikuar ndër ta fjalën e Hyjit.

12 Kur Galioni ishte prokonsull i Akajës, çifutët në përkim të plotë u çuan kundër Palit, e nxorën në gjyq 13 dhe thanë: “Ky nxit njerëzit që ta nderojnë Hyjin kundër Ligjit.” 14 Pikërisht kur Pali deshi të flasë, Galioni u tha judenjve: “Po të ishte çështja e ndonjë delikti apo e ndonjë vepre të keqe, ju kisha vështruar, o hebrenj, siç e kërkon e drejta; 15 porse, pasi çështja është lidhur me fjalë, emra e Ligjin tuaj, rregullojeni ju vetë; lidhur me këso gjërash unë nuk dëshiroj të bëhem gjykatës.” 16 Dhe i dëboi nga gjykatorja. 17 Por ata të gjithë e kapën kryetarin e sinagogës, Sostenin, dhe filluan ta rrahin para gjykatores. Galioni aspak nuk e çau kokën për këtë gjë.

Pali kthehet në Antioki

18 Pali qëndroi në Korint edhe mjaft kohë, pastaj u përshëndet me vëllezërit dhe me barkë u nis për Siri bashkë me Prishilën e me Akuilën, pasi në Kenhrejë e qethi kokën, sepse e kishte bërë kusht.

19 Kur mbërritën në Efes, ata i la aty e vetë hyri në sinagogë për të diskutuar me çifutë. 20 Këta i bënë lutje të qëndronte tek ata për një kohë të gjatë, por ai nuk deshi, 21 e, duke u përshëndetur, u tha: “Në dashtë Zoti do të vij te ju një herë tjetër.”

Dhe u nis prej Efesit.

22 Kur arriti në Cezare, u ngjit të përshëndesë Kishën e atëherë zbriti në Antioki. 23 Edhe aty ndenji disa kohë. Pastaj u nis të përshkojë krahinën e Galacisë e të Frigjisë duke i përforcuar në fe të gjithë nxënësit.

Apoloni predikon në Efes

24 Një farë hebreu që quhej Apolon, me prejardhje nga Aleksandria, kishte ardhur në Efes. Ishte njeri gojëmbarë dhe njohës i mirë i Shkrimit të shenjtë. 25 Ishte i njoftuar me Udhën e Zotit dhe me plot zell të shpirtit fliste dhe mësonte me kujdes për Jezusin, edhe pse dinte vetëm për pagëzimin e Gjonit. 26 Ai, pra, filloi të flasë plot guxim në sinagogë. Kur e dëgjuan Prishila e Akuila, e morën në shtëpi të tyre dhe ia shpjeguan imtësisht Udhën e Hyjit. 27 Kur iu mbush mendja të shkojë për Akajë, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan nxënësve që ta presin mirë. Kur arriti atje, për hir të Zotit, u vlejti shumë besimtarëve 28 sepse me aftësi të madhe i hidhte poshtë judenjtë duke ua vërtetuar me anë të Shkrimit të shenjtë se Jezusi është Mesia.

Veprat e Apostujve: 19. Pali në Efes

19

1 Ndërkohë që Apoloni ishte në Korint, Pali, pasi i përshkoi krahinat e epërme, erdhi në Efes. Aty gjeti disa nxënës 2 dhe u tha: “Kur e pranuat fenë, a e morët Shpirtin Shenjt?” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se ka Shpirt Shenjt.” 3 “Cilin pagëzim atëherë ‑ vazhdoi Pali ‑ keni marrë?” Ata u përgjigjën: “Pagëzimin e Gjonit.” 4 Pali u tha: “Gjoni ka pagëzuar me pagëzimin e kthimit, duke i predikuar popullit që të besojnë në Atë që do të vijë pas tij, d. m. th. në Jezusin.” 5 Kur dëgjuan, u pagëzuan në Emër të Jezusit Zot 6 e, kur Pali i vuri duart mbi ta, në ta zbriti Shpirti Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë. 7 Të gjithë së bashku ishin dymbëdhjetë burra.

8 Pali atëherë hyri në sinagogë dhe për tre muaj foli plot guxim: diskutonte e mundohej t’ua mbushë mendjen ta pranojnë Mbretërinë e Hyjit. 9 Por, pasi disa kokëfortë që s’donin të binden, filluan edhe të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para bashkësisë, Pali këputi marrëdhëniet me ta, i ndau nxënësit e filloi të mësojë përditë në shkollën e Tiranit. 10 Vazhdoi kështu për dy vjet. Kështu të gjithë banorët e krahinës së Azisë ‑ hebrenj e grekë ‑ e dëgjuan fjalën e Zotit.

Bijtë e Shevës

11 Hyji, përmes duarve të Palit, bënte mrekulli të jashtëzakonshme, 12 aq sa vinin shamia e petka prej trupit të Palit përmbi të sëmurë dhe prej tyre zhdukeshin sëmundjet e dilnin shpirtrat e ndytë.

13 Po edhe disa çifutë, që endeshin andej këndej dhe përbenin shpirtrat e ndytë të dilnin, sprovuan ta thërrasin Emrin e Jezusit Zot, përmbi ata që kishin në trup shpirtrat e ndytë. Thoshin. “Po ju përbej në Jezusin, të cilin e predikon Pali.” 14 Këtë e bënin shtatë bijtë e një farë Sheve, kryepriftit çifut. 15 Por shpirti i keq ua ktheu: “Jezusin e njoh dhe Palin e di, por ju kush jeni?” 16 Dhe njeriu, në trupin e të cilit ishte djalli, u lëshua në ta, i mundi të gjithë dhe, të zhveshur e të plagosur, ikën prej asaj shtëpie. 17 Dëgjuan për këtë ngjarje banorët e Efesit ‑ çifutë e grekë ‑ dhe të gjithë i kapi tmerr i madh dhe madhërohej Emri i Zotërisë Jezus.

18 Shumë nga ata që besuan, vinin e rrëfenin ballafaqe dhe i tregonin veprimet e veta të shortisë. 19 Shumë prej atyre që kishin ushtruar mjeshtrinë e magjisë, i sillnin librat dhe i digjnin para të gjithëve. Kur e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë drahma argjendi.

20 Kështu, me fuqinë e Zotit, fjala shtrihej vazhdimisht e fitonte në fuqi.

Rrëmujë në Efes

21 Pas këtyre ngjarjeve, Pali vendosi të shkojë nëpër Maqedoni e Akajë për Jerusalem. Tha: “Pasi të gjendem atje, do të shkoj ta shoh edhe Romën.” 22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun e Erastin, kurse ai kaloi edhe disa kohë në Azi.

23 Disi në atë kohë ndodhi një rrëmujë jo e vogël kundër Udhës. 24 Një argjendar, që quhej Dhimitër, punonte tempuj të vegjël të Artemidës dhe kështu u sillte fitesë jo të vogël mjeshtërve. 25 Ky i bashkoi këta dhe të gjithë të tjerët që merreshin me këtë veprimtari dhe u tha: “Burra, ju e dini se fitesa jonë varet nga kjo mjeshtëri, 26 e po shihni se ky Pali, jo vetëm në Efes, por pothuajse edhe në mbarë Azinë, ia ka mbushur mendjen dhe e ka larguar një shumicë të madhe populli duke mësuar se nuk ka hyjni të punuara me dorë njeriu. 27 Kështu, jo vetëm është në rrezik mjeshtëria jonë, por edhe tempulli i Artemidës, hyjneshës së madhe, s’ka për t’u çmuar më dhe do të mbarojë madhëria e asaj, të cilën e nderon krejt Azia dhe bota mbarë.”

28 Kur e dëgjuan, u hidhëruan dhe zunë të bërtasin: “E madhe është Artemida e Efesit!” 29 Pështjellimi zotëroi mbarë qytetin. Të gjithë së bashku u lëshuan në teatër duke i hequr zvarrë maqedonët, Gajin e Aristarkun, bashkudhëtarët e Palit. 30 Pali vetë deshi të parqitej para popullit, por nuk ia lejuan nxënësit. 31 Madje edhe disa aziarkë, miq të tij, çuan njerëz tek ai e iu lutën që të mos duket në teatër.

32 Ndërkaq, disa bërtitnin një gjë, disa një tjetër: të bashkuarit ishin pështjelluar plotësisht, aq sa shumë prej tyre, as pse kishin shkuar atje s’dinin më. 33 Disa prej popullit ia mbushën mendjen të flasë një farë Aleksandri. Këtë hebrenjtë e nxitnin të dalë para mbledhjes. Aleksandri dha shenjë me dorë e deshi të mbrohej para popullit. 34 Kur e morën vesh se ishte hebre, të gjithë njëzëri nisën të bërtasin pa pushuar për dy orë: “E madhe është Artemida e Efesit!” 35 Atëherë sekretari ia doli ta qetësojë dhe tha:

“Burra të Efesit! Cili njeri nuk e di se qyteti i Efesit është rojtari i tempullit të Artemidës së Madhe dhe i trupores së saj që ra nga qielli? 36 Pra, pasi kjo gjë s’mund të mohohet, duhet të qetësoheni, në mënyrë që të mos bëni ndonjë vepër për ngut. 37 I sollët këta njerëz, që s’janë as vjedhës të gjërave të shenjta e as që e kanë blasfemuar hyjneshën tonë. 38 Po qe se Dhimitri e mjeshtrat e tjerë të tij kanë ndonjë ankesë kundër ndokujt, gjyqet punojnë, e këtu janë edhe prokonsujt: le të paditen! 39 Nëse kërkoni ndonjë gjë tjetër, do t’i jepet fund në kuvend të rregullt. 40 Sepse kështu e vëmë veten në rrezik që të na çmohet kjo ngjarje e sotme si kryengritje, pasi s’kemi kurrfarë arsyeje, me anë të së cilës të mund ta përligjim këtë pështjellim.” Posa foli kështu, e shpërndau kuvendin.

Veprat e Apostujve: 20. Pali në Maqedoni

20

1 Pasi u paqësua turbullimi, Pali i thirri nxënësit, u dha porositë, i përshëndeti dhe u nis për Maqedoni. 2 Pasi i përshkoi ato vende dhe i ngushëlloi me shumë fjalime vëllezërit, shkoi në Greqi. 3 Atje ndenji tre muaj. Pikërisht, kur mendoi të udhëtojë për Siri, hebrenjtë ia zunë pritën, por ai atëherë vendosi të kthejë nëpër Maqedoni. 4 E përcillnin Sopatri, biri i Pirrit, prej Berejës; Aristarku e Sekundi prej Selanikut; Gaji prej Derbit dhe Timoteu; Tihiku e Trofimi prej Azisë. 5 Këta shkuan para nesh e na pritën në Troadë. 6 Ne, si kaluan ditët e Bukëve të pabrumë, lundruam nga Filipet dhe, pas pesë ditësh arritëm te ta në Troadë. Atje kaluam shtatë ditë.

Pali i jep fund vizitës në Troadë

7 Ditën e parë të javës, kur u mblodhëm të ndajmë Bukën, Pali u predikoi vëllezërve e, pasi mendonte të udhëtojë të nesërmen, e zgjati bisedën deri në mesnatë. 8 Në dhomën e sipërme, ku ishim të bashkuar, kishim shumë llamba. 9 Një djalosh që quhej Eutih, ishte ulur në dritare. Pasi Pali predikoi gjatë, Eutihin e rrejti gjumi dhe fjeti. Ashtu në gjumë, i iku shtati e ra prej të tretit kat poshtë. E ngritën të vdekur. 10 Pali u ul poshtë, ra mbi të, e mori djaloshin para duarsh e tha: “Mos u shqetësoni! Nuk ka vdekur.” 11 Atëherë u ngjit lart e, pasi e ndau bukën dhe hëngri, vazhdoi të flasë edhe për një kohë të gjatë, deri në agim. Atëherë u nis. 12 Djaloshin e çuan në shtëpi shëndoshë me gëzim të të gjithëve.

Udhëtimi prej Troadës në Milet

13 Ne u nisëm me barkë përpara e shkuam në Ason, ku mendonim të marrim Palin: kështu e kishte caktuar ai vetë. Ai vendosi të vinte atje në këmbë. 14 Kur u bë me ne në Ason, e morëm e shkuam në Mitilenë. 15 Prej andej, të nesërmen u nisëm dhe arritëm afër Hijosit. Të pasnesërmen u nisëm për Sam e ditën e nesërme mbërritëm në Milet. 16 Pali kishte vendosur që të mos kthehemi në Efes për të mos humbur kohë në Azi. Ai ngutej, sepse dëshironte, nëse ishte e mundur, që për Rrëshajë të gjendej në Jerusalem.

Përshëndetja e Palit me të parët e kishës së Efesit në Milet

17 Nga Mileti Pali dërgoi në Efes e i thirri të parët e kishës. 18 Kur arritën, u tha:

“Ju e dini se si jam sjellë ndër ju për tërë kohën që prejditës së parë kur erdha në Azi; 19 i shërbeva Zotit me përvujtëri, me lot e me vështirësi, të cilat më gjetën për shkak të pritave të çifutëve. 20 Asgjë që ishte për të mirën tuaj nuk e lashë pa jua shpallur e pa jua mësuar botërisht e nëpër shtëpi; 21 i përbeva çifutët e grekët të kthehen kah Hyji e të besojnë në Jezusin, Zotin tonë.

22 Tani, ja, plotësisht i nënshtruar Shpirtit, po drejtohem për Jerusalem pa ditur se çka do të më gjejë në të, 23 përveç sa më siguron Shpirti Shenjt se në çdo qytet më presin prangat dhe vështirësitë. 24 Por, aspak nuk shqetësohem për jetën timë, kujdesem vetëm ta kryej udhën time dhe misionin që kam marrë prej Jezusit Zot: ta dëshmoj Ungjillin e hirit të Hyjit.

25 E tani, ja, mirë e di se fytyrën time më nuk do ta shohë asnjëri prej jush, ndër të cilët kalova duke predikuar Mbretërinë. 26 Për këtë arsye sot, në këtë ditë, po dëshmoj se nuk ju kam farë faji në qoftë se ju birreni, 27 sepse nuk lashë pa jua kumtuar asnjë gjë gjë lidhur me vullnetin e Hyjit.

28 Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. Udhëhiqeni Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete.

29 Unë e di se pasi të shkoj unë, mes jush do të hyjnë ujq grabitqarë, të cilët s’do ta kursejnë grigjën. 30 Po edhe mes jush do të ngrihen disa njerëz, të cilët do të shtrijnë mësime të rreme për të tërhequr pas vetes nxënësit. 31 Prandaj rrini zgjuar e mos harroni se për tri vjet, pa pushuar as natë as ditë, me lot për faqe, jam munduar ta mësoj secilin prej jush.

32 E tani po ju lë në dorë të Hyjit dhe të fjalës së hirit të tij, e cila është e aftë t’ju edukojë e t’ju japë trashëgimin ndër të gjithë të shenjtëruarit.

33 Nuk dëshirova as argjend, as ar as petka prej askujt. 34 Ju vetë e dini se për nevoja të mia e të shoqëruesve të mi kanë fituar këto duar të mia. 35 Në çdo pikëpamje ju tregova me shembull se duke punuar kështu, duhet t’u ndihmohet të paaftëve, duke na rënë në mend fjalët e Jezusit Zot: ‘Më i lum është ai që jep se ai që merr. ’”

36 Kur i kreu këto fjalë, u ul në gjunjë bashkë me të gjithë dhe u lut. 37 Të gjithë ia plasën vajit, e përqafuan dhe e puthën Palin, 38 të trishtuar thellë, sidomos për fjalën që u tha se nuk do ta shohin më fytyrën e tij.

Atëherë e përcollën deri në barkë.

Veprat e Apostujve: 21. Pali në Jerusalem

21

1 Si u ndamë prej tyre, hymë në barkë. Duke lundruar drejt, arritëm në Kos, të nesërmen në Rod, e prej andej në Patarë. 2 Pasi gjetëm një barkë që udhëtonte për Fenici, hipëm në të dhe morëm shpinën e detit. 3 Kur dolëm përballë Qipros, e lamë në krahun e majtë e vazhduam për Siri. Zumë vend në Tir, se anijes i duhej të shkarkonte mallrat. 4 Pasi i gjetëm nxënësit, u ndalëm aty shtatë ditë. Ata, të nxitur prej Shpirtit Shenjt, i thoshin Palit të mos ngjitej në Jerusalem. 5 Porse, kur kaluan ditët, vazhduam udhën. Na përcollën të gjithë me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit. Në breg të detit u ulëm në gjunjë dhe u lutëm. 6 U përshëndetëm, hipëm në barkë e ata u kthyen në shtëpitë e veta.

7 Kështu i dhamë fund lundrimit: prej Tirit arritëm në Ptolemaidë. I përshëndetëm vëllezërit dhe zumë vend një ditë me ta. 8 Të nesërmen u nisëm për rrugë dhe mbërritëm në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filipit ungjilltar, që ishte një nga të Shtatët, dhe zumë vend tek ai. 9 Ky kishte katër vajza virgjëresha, të cilat kishin dhuratën e profecisë.

10 Gjatë qëndrimit tonë shumëditor aty, prej Judeje zbriti një profet që quhet Agab. 11 Ky erdhi ndër ne, mori brezin e Palit, lidhi këmbët e duart e veta dhe tha: “Kështu thotë Shpirti Shenjt: njeriun, brezi i të cilit është ky, çifutët po kështu do ta lidhin në Jerusalem dhe do t’ua dorëzojnë paganëve.” 12 Kur i dëgjuam këto fjalë, si ne ashtu edhe vendasit, filluam t’i lutemi Palit që të mos shkojë në Jerusalem. 13 Pali u përgjigj: “Pse po qani e po ma copëtoni zemrën? Unë jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për shkak të Emrit të Jezusit Zot.”

14 E pasi s’mundëm t’ia mbushnim mendjen, s’iu vumë më gjatë e thamë: “U bëftë vullneti i Zotit.”

15 Pas këtyre ditëve, u bëmë gati dhe po ngjiteshim në Jerusalem. 16 Bashkë me ne erdhën edhe disa nxënës nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e një farë Mnasoni, nga Qiproja, nxënës i vjetër, që të banojmë tek ai.

Pali i bën vizitë Jakobit

17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18 Të nesërmen Pali, bashkë me ne shkoi te Jakobi, ku u mblodhën të gjithë udhëheqësit. 19 Pasi i përshëndeti, filloi t’u tregojë një nga një gjithçka kishte bërë Hyji me shërbesën e tij ndër paganë.

20 Ata, kur dëgjuan, i dhanë lavdërim Hyjit. Atëherë i thanë Palit: “Ti po sheh, o vëlla, se me mijëra hebrenj e kanë pranuar fenë e të gjithë janë ithtarë të flaktë të Ligjit. 21 Ata kanë dëgjuar për ty se ti i mëson hebrenjtë që jetojnë ndër paganë t’i bien mohit Moisiut dhe se ti thua se s’duhet t’i rrethpresin fëmijët as t’i mbajnë traditat e të parëve. 22 Pra, çka të bëjmë? Me siguri do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj, pra, ç’po të themi! Këtu ndër ne janë katër vetë që janë kushtuar. 24 Merri me vete e bashkë me ta kryeje ritin e pastrimit. Paguaj ti çka lypet për qethjen e kresë. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se çka dëgjuan për ty s’është e vërtetë, por përkundrazi, se edhe ti je në të drejtën dhe se e mban Ligjin. 25 E, për sa u përket paganëve të kthyer në fe, ne ua patëm dërguar çka vendosëm: të ruhen nga mishi i kushtuar idhujve, prej gjakut e prej mishit të bagëtive të furura e të mbytura në ujë dhe prej fëlligështisë.”

26 Të nesërmen Pali i mori me vete ata njerëz, kreu bashkë me ta ritin e pastrimit, hyri në Tempull, caktoi ditën e fundit të pastrimit, kur për secilin prej tyre do të kushtohej flia.

Palin e arrestojnë në Tempull

27 Kur këto shtatë ditë po merrnin fund, disa hebrenj prej Azisë e hetuan Palin në Tempull, çuan peshë mbarë dhe e kapën 28 duke bërtitur: “Kushtrim, izraelitë! Ja, njeriu që gjithkund mëson gjithkënd kundër popullit tonë, kundër Ligjit dhe kundër këtij Vendi. Për më tepër i ka futur edhe grekët në Tempull dhe e ka dhunuar këtë Vend të shenjtë!” 29 Sepse e kishin parë bashkë me të në qytet Trofimin prej Efesit dhe mendonin se Pali do ta kishte futur në Tempull.

30 Mbarë qyteti u përzie dhe populli ngarendi prej çdo ane. E kapën Palin, e hodhën jashtë Tempullit dhe menjëherë i mbyllën dyert. 31 Ndërsa ata po donin ta vrisnin, shkoi lajmi te tribuni i kohortës se mbarë Jerusalemi është ngritur në kryengritje. 32 Tribuni menjëherë mori ushtarët dhe centurionët e shkoi tek kryengritësit. Këta, kur e panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. 33 Atëherë iu afrua tribuni e kapi dhe urdhëroi të lidhet me dy palë hekura. Pastaj nisi të pyesë kush është dhe çka ka bërë. 34 Prej turmës dikush bërtiste një gjë, dikush një tjetër. E pasi prej zhurmës s’mund të merrte vesh gjë të sigurt, dha urdhër të çohej në kështjellë. 35 Kur Pali ngjiti shkallët, u desh që ushtarët ta mbartnin para duarsh për shkak të shtyrjes së popullit; 36 sepse turma e popullit i shkonte pas dhe bërtiste: “Vritie!”

Pali mbron vetveten

37 Në atë çast kur po e shtinin në kështjellë, Pali iu drejtua tribunit:

“A kam leje të të them diçka?”

“Po a di ti greqisht? ‑ iu përgjigj tribuni ‑ 38 Pse, a s’je ti ai egjiptiani, që para disa ditësh çoi në kryengritje e mori pas vetes në shkretëtirë ata katër mijë thikëtarë?”

39 Pali iu përgjigj:

“Unë jam hebre nga Tarsi i Cilicisë qytetar i qytetit të përmendur. Po të lutem më lejo t’ia them këtij populli dy fjalë.”

40 Kur ai i dha leje, Pali, prej shkallëve, me dorë i dha shenjë popullit e, kur u bë heshtje e plotë, foli hebraisht:

Veprat e Apostujve: 22. Pali tregon kthimin e vet

22

1 “Vëllezër dhe etër, më dëgjoni çka tani do t’ju them në mbrojtjen time.”

2 Kur dëgjuan se po fliste hebraisht, heshtja u bë shumë më e thellë. Pali vazhdoi:

3 “Unë jam hebre, i lindur në Tarsin e Cilicisë, por që u rrita në këtë qytet e te këmbët e Gamalielit u edukova sipas Ligjit të të vjetërve: isha zelltar i Hyjit ashtu siç jeni edhe ju sot e kësaj dite. 4 Këtë Udhë e kam salvuar deri në vdekje, i kam hedhur në pranga dhe kam burgosur burra e gra, 5

si mund të ma bëjnë dëshmi edhe kryeprifti dhe paria. Prej atyre kam marrë edhe letrat për të burgosur vëllezërit në Damask dhe qesh nisur që edhe ata atje t’i bie të lidhur në Jerusalem për t’i ndëshkuar.”

Pali tregon kthimin e vet

(Vap 9, 1‑19; 26, 12‑18)

6 “Ndërsa po udhëtoja dhe po i afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe, 7 unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’ 8 Unë u përgjigja: ‘Kush je, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon!’ 9 Ata që ishin me mua, dritën njëmend e panë, por zërin e atij që fliste me mua nuk e dëgjuan. 10 Atëherë thashë: ‘Çka duhet të bëj, o Zot?’ E Zoti më tha: ‘Çohu e shko në Damask e atje do të të thuhet çka duhet të bësh. 11 Pasi prej shkëlqimit të asaj drite më nuk shihja, shoqëruesit e mi më morën për dore e arrita në Damask.

12 Një farë Ananie, zbatues besnik i Ligjit, i cili gëzonte zë të mirë ndër hebrenj që banonin atje ‑ 13 erdhi tek unë dhe, si m’u afrua më tha: ‘Vëlla Saul, rifitoje dritën e syve!’ Dhe unë, aty për aty e rifitova të parët e syve. 14 Ai vijoi: ‘Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij, 15 sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjitha ato që ke parë e dëgjuar. 16 Ç’ke që ngurron? Ngrihu, pagëzohu dhe laji mëkatet e tua duke e thirrur në ndihmë Emrin e tij!’”

Pali dërgohet ndër paganë

17 “Pasi u ktheva në Jerusalem dhe, ndërsa një ditë po lutesha në Tempull, pata një vegim 18 dhe pashë Zotin. Ai më thoshte: ‘Ngrihu e me të shpejtë dil nga Jerusalemi, sepse nuk do ta pranojnë këtu dëshminë tënde për mua.’ 19 Unë i thashë: ‘O Zot, ata e dinë mirë se unë i kam burgosur dhe i kam frushkulluar në sinagoga ata që besojnë në ty. 20 Po edhe kur u derdh gjaku i Shtjefnit, dëshmorit tënd, aty isha edhe unë dhe isha i mendimit së bashku me ta për ta vrarë. Vrastarëve unë ua ruajta petkat.’ 21 Por, Zoti më tha: ‘Shko, unë po të dërgoj larg, në mes të paganëve!’”

Pali dhe tribuni romak

22 Çifutët e dëgjuan deri këtu. Në këto fjalë filluan të bërtasin: “Zhduke prej faqes së dheut një njeri të tillë! Ky nuk meriton të jetojë!” 23 Filluan të bërtisnin më fort, të shqyenin petkat e të hidhnin pluhur në ajër. 24 Atëherë tribuni urdhëroi të shtihet Pali në kështjellë dhe dha urdhër ta bëjnë të flasë me frushkuj që ta merrte vesh pse bërtitnin ashtu kundër tij. 25 E kur ushtarët po e lidhnin me rripa për ta frushkulluar, Pali i tha centurionit që ishte pranë: “A thua keni leje ta rrahni me frushkuj qytetarin romak, madje edhe të pagjykuar?”

26 Kur centurioni e dëgjoi, iu afrua tribunit e i tha: “Çka mendon të bësh? Ky njeri është romak!”

27 Tribuni iu afrua dhe i tha:

“Më thuaj a je ti romak?”

“Po!” ‑ iu përgjigj Pali.

28 “Unë ‑ tha tribuni ‑ e kam blerë shtrenjtë këtë nënshtetësi.”

Pali iu përgjigj:

“Unë kam lindur me të!”

29 Prandaj, me të shpejtë u larguan prej tij ata që do ta merrnin në pyetje. Po edhe tribunit i hyri frika kur e mori vesh se ishte nënshtetas romak e ky e kishte lidhur në hekura.

Pali para Këshillit të Lartë

30 Tribuni ditën e nesërme, duke dashur të dijë pikërisht të vërtetën, përse çifutët e paditnin Palin, e zgjidhi, dha urdhër të mblidhen në kuvend kryepriftërinjtë dhe mbarë Këshilli i Lartë, urdhëroi të sillet edhe Pali dhe e ballafaqoi me ta.

Veprat e Apostujve: 23. Komploti i çifutëve kundër Palit

23

1 Pali ua nguli sytë anëtarëve të Këshillit të Lartë e tha:

“Vëllezër, deri në ditën e sotme kam jetuar para Hyjit me ndërgjegje të pastër.” 2 Porse kryeprifti, Anania, urdhëroi t’i bien shputë gojës ata që qëndronin afër Palit. 3 Pali atëherë i tha:

“Do të të bjerë ty Hyji, he mur i zbardhuar! A ti rri në seli për të më gjykuar sipas Ligjit, e ti vetë kundër Ligjit urdhëron të më rrahin?!”

4 Të pranishmit e përkujtuan:

“Si guxon ta nëmësh kryepriftin?”

5 “Nuk dita, vëllezër ‑ u përgjigj Pali ‑ se ky është kryeprifti. Sepse, vërtet, shkruan: ‘Kryetarin e popullit tënd mos e nëm!’”

6 Pali e dinte se ata ishin një pjesë saducenj e një pjesë farisenj, prandaj tha me zë të lartë në Këshill: “Vëllezër, unë jam farise dhe bir farisenjsh. Për shkak të shpresës në ngjalljen e të vdekurve jam këtu para gjyqit!”

7 Posa Pali i tha këto fjalë, nisi grindja mes farisenjsh e saducenjsh dhe u bë përçarje në mbledhje. 8 Saducenjtë, në të vërtetë thonë se nuk ka ngjallje, s’ka engjëj, s’ka shpirt; kurse farisenjtë i besojnë të gjitha këto. 9 U bë zhurmë e madhe. Atëherë disa skribë të sektit të farisenjve, u ngritën dhe kundërshtuan me guxim: “Ne nuk gjejmë ‑ thanë ‑ kurrfarë faji në këtë njeri. Çka atëherë, nëse i ka folur ndonjë shpirt ose ndonjë engjëll?” 10 Pasi zhurma shkonte duke u rritur, tribuni nisi të frikësohej mos po e kapin Palin e po e copëtojnë, prandaj urdhëroi të ulet ushtria, ta marrë prej mesit të tyre e ta çojë në kështjellë.

11 Natën më pas Zoti iu dëftua Palit dhe i tha:

“Aspak mos u tremb! Si ke dëshmuar për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”

Komploti i çifutëve kundër Palit

12 Kur zbardhi drita, çifutët bënë komplot dhe u përbetuan se as s’do të hanë as nuk do të pinë pa e mbytur Palin. 13 Ata që e bënë këtë përbetim ishin më tepër se dyzet vetë. 14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit e u thanë: “Me be jemi përbetuar të mos shijojmë asgjë me gojë para se ta mbysim Palin. 15 Prandaj ju, në marrëveshje me Këshillin, paraqitjani tribunit ta bjerë atë para jush gjasme dëshironi ta shqyrtoni më mirë çështjen e tij, e ne jemi gati ta mbysim para se ai të mbërrijë.”

16 Por për pritën mori vesh i biri i motrës së Palit, shkoi e hyri në kështjellë dhe i tregoi Palit. 17 Pali thirri një centurion dhe i tha: “Përcille këtë djalosh te tribuni! Ka diçka për t’i thënë:” 18 Ky e mori, e çoi te tribuni dhe i tha: “I burgosuri, Pali, më thirri e m’u lut ta përcjell këtë djalosh deri te ti se ka diçka për të të thënë.” 19 Tribuni e mori djaloshin për dore, e ndau veçmas dhe e pyeti:

“Çfarë lajmi ke për të më dëftuar?”

20 Ai i tha:

“Çifutët janë marrë vesh mes tyre të të bëjnë lutje t’ua çosh nesër Palin në Këshill, kinse duan ta hulumtojnë më imtësisht çështjen e tij. 21 Mos u beso, sepse i kanë vënë pritën më se dyzet vetë, të cilët janë përbetuar se as s’do të hanë as s’do të pinë para se ta mbysin Palin. Janë gati tani, veç presin pëlqimin tënd.”

22 Atëherë tribuni e nisi djaloshin dhe i urdhëroi: “Askujt mos i trego se ma ke sjellë këtë lajm.”

Pali dërgohet te Feliksi në Cezare

23 Atëherë tribuni grishi dy centurionë e tha: “Bëni gati dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës e dyqind shigjetarë që pas orës së tretë të natës të nisen për Cezare. 24 Le të bëhet gati edhe shtaza, në të cilën të udhëtojë Pali e të çohet shëndoshë te Feliksi, qeveritari. 25 Shkroi edhe një letër me këtë përmbajtje:

26 “Klaud Lizja

Shkëlqesisë së tij sundimtarit Feliks,

shëndet!

27 Këtë njeri e kapën çifutët dhe, pak para se ta vrisnin, u lëshova me ushtri dhe ua nxora duarsh, pasi mora vesh se është nënshtetas romak. 28 Desha të di për çka e paditnin, prandaj e çova në Këshillin e tyre. 29 Mora vesh se e paditnin për çështje të diskutueshme me Ligjin e tyre dhe se nuk kishte kurrfarë faji që të meritojë vdekjen ose burgun. 30 Si mora vesh, pastaj, se kundër tij kanë bërë një komplot, e nisa te ti menjëherë e paditësit e tij i njoftova të të drejtohen ty për sa kanë kundër tij.”

31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit që patën, e morën Palin dhe natën e çuan në Antipatridë. 32 Të nesërmen i lanë kalorësit të vijojnë rrugën me të, kurse këmbësorët u kthyen në kështjellë. 33 Kur kalorësit arritën në Cezare, ia dorëzuan qeveritarit letrën dhe ia paraqitën Palin. 34 Pasi e lexoi letrën, e pyeti se prej cilës provincë ishte dhe, pasi mori vesh se ishte prej Cilicisë, 35 i tha: “Do të dëgjoj kur të vijnë edhe paditësit e tu.”

Atëherë dha urdhër të ruhet në pallatin e Herodit.

Veprat e Apostujve: 24. Procesi kundër Palit

24

1 Pas pesë ditësh zbriti kryeprifti Anania me disa pleq e me një avokat që quhej Tertul dhe ia paraqitën qeveritarit padinë kundër Palit. 2 Kur e sollën Palin, atëherë Tertuli nisi ta padisë me këto fjalë:

“Paqen e madhe që ne po gëzojmë në saje tënde dhe përmirësimin e gjendjes i cili po i vjen këtij populli në saje të kujdesit tënd, i përndritshmi Feliks, 3 e pranojmë me falënderim të sinqertë në gjithçka dhe gjithkund.

4 Por, që të mos të të mërzis, të lutem të na dëgjosh për pak kohë me butësinë tënde. 5 Ne kemi zbuluar se ky njeri është murtajë dhe se nxit gjithkund nëpër botë të gjithë hebrenjtë për kryengritje dhe se është udhëheqësi i sektit të Nazarenëve. 6 Ky madje u mundua ta dhunojë edhe Tempullin, por atëherë e kapëm. [7] 8 Po prej tij, nëse e pyet, do të mund të kuptosh se janë të vërteta paditë që bëjmë kundër tij.”

9 Hebrenjtë e përkrahën duke pohuar se puna qëndronte ashtu.

Pali mbrohet para Feliksit

10 Atëherë Pali, me shenjën e qeveritarit, mori fjalën e tha:

“E di se prej shumë vjetësh je gjykatës i këtij populli, prandaj pa farë frike po e marr fjalën për t’u mbrojtur. 11 Ti vetë mund ta vërtetosh se nuk janë më shumë se dymbëdhjetë ditë që kur u ngjita në Jerusalem për të adhuruar. 12 Nuk më gjetën as në Tempull as në sinagoga as nëpër qytet duke diskutuar me askënd as duke nxitur për kryengritje, 13 e nuk janë në gjendje t’i vërtetojnë ato, për të cilat tani po më padisin.

14 Ndërkaq këtu para teje pohoj këtë gjë: me Udhën, të cilën këta e quajnë sekt unë i shërbej Hyjit të etërve duke besuar gjithçka është e shkruar në Ligj e në Profetë. 15 Kam shpresë në Hyjin se do të ngjallen të drejtët e të këqijtë e këtë gjë e shpresojnë edhe ata vetë. 16 Këndej edhe kujdesohem gjithmonë ta kem ndërgjegjen e pastër para Hyjit e para njerëzve.

17 Tashti, pas sa vitesh, erdha të sjell lëmoshë për tim e për t’i flijuar Hyjit. 18 Në këtë rast më gjetën në Tempull kur po i jepja fund pastrimit tim, por pa turma e pa përzierje; 19 por disa hebrenj nga Azia... Këta do të kishte qenë mirë të kishin ardhur para teje e të më paditnin, nëse kanë ndonjë gjë kundër meje. 20 Por edhe këta le të thonë: çfarë delikti gjetën në mua, kur qëndroja para Këshillit të Lartë, 21 me përjashtim ndoshta vetëm të asaj fjale që thashë me zë të lartë, ndërsa isha në këmbë para tyre: ‘Për shkak të ngjalljes së të vdekurve jam sot në gjyq para jush!’”

22 Feliksi që e njihte mjaft mirë këtë Udhë, e shtyri çështjen me këto fjalë: “Kur të vijë tribuni, Lizja, do t’i jap fund çështjes suaj.” 23 Centurionit i urdhëroi të ruhej Pali me rojtarë, por duke i lënë disa liri, si edhe të mos i ndalohej askujt prej të tijve t’i bëjnë ndonjë shërbim.

Pali mbetet nën rojë

24 Pas disa ditësh erdhi Feliksi me gruan e vet Druzilën, që ishte çifute. Si e thirri Palin, po e dëgjonte fjalën e tij lidhur me fenë në Jezu Krishtin. 25 E kur Pali filloi të flasë për drejtësinë, për përkormërinë dhe për Gjyqin e ardhshëm, Feliksi u tremb dhe i tha: “Për tani, shko një herë e, kur të kem kohë, do të të thërras përsëri.” 26 Shpresonte gjithashtu se do të marrë të holla prej Palit e nergut shpeshherë çonte dhe e thërriste për të biseduar me të.

27 Si kaluan dy vjet Feliksin e zëvendësoi Porci Fest. Feliksi, duke dashur të tregohej dashamir kundrejt judenjve, e la Palin në pranga.

Veprat e Apostujve: 25. Pali apelon Cezarin

25

1 Festi, pra, tri ditë pasi erdhi në provincë, shkoi prej Cezaresë në Jerusalem. 2 Kryepriftërinjtë dhe paria e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit dhe e përbetonin 3 t’ju bënte këtë nder kundër Palit: ta sillte në Jerusalem. Ata kishin bërë gati pritën për ta mbytur në udhëtim. 4 Por Festi u përgjigj se Pali do të mbetej i burgosur në Cezare dhe se edhe ai do të shkonte së shpejti atje. 5 “Të fuqizuarit, pra, ‑ u tha ‑ le të vijnë me mua e, nëse në atë njeri ka ndonjë faj, le ta padisin.”

6 Festi u ul në Cezare pasi ndenji tek ata tetë ose më së shumti dhjetë ditë. Të nesërmen hipi në selinë e gjykatores dhe urdhëroi të sillej Pali. 7 Kur erdhi Pali, e rrethuan judenjtë që kishin zbritur prej Jerusalemit dhe bënë kundër tij padi të shumta e të rënda, të cilat nuk ishin në gjendje t’i vërtetonin. 8 Kurse Pali mbrohej: “Kurrfarë faji s’kam bërë as kundër Ligjit të judenjve, as kundër Tempullit e as kundër Cezarit.”

9 Atëherë Festi, duke dashur t’ua plotësonte dëshirën judenjve, i tha Palit:

“A do të shkosh në Jerusalem e atje të gjykohesh për këtë punë para meje?”

10 Pali iu përgjigj:

“Qëndroj para gjykatores së Cezarit, ku duhet të gjykohem. Judenjve s’u kam bërë farë faji, sikurse edhe ti vetë e di fare mirë. 11 E, në qoftë se kam bërë ndonjë krim që meriton vdekjen, nuk i iki vdekjes; por, në qoftë se s’janë të vërteta paditë e tyre, askush s’ka të drejtë të më japë dhuratë atyre. Kërkoj të gjykohem para Cezarit!”

12 Festi atëherë, pasi u këshillua me këshilltarët, u përgjigj:

“Iu drejtove Cezarit, te Cezari do të shkosh!”

Pali para mbretit Agripa e para Berenikës

13 Pasi kaluan disa ditë, erdhën në Cezare mbreti Agripa dhe Berenika për të përshëndetur Festin. 14 Pasi aty qëndruan për disa ditë, Festi ia paraqiti mbretit çështjen e Palit. I tha:

“Është këtu një njeri, të cilin Feliksi e la në burg. 15 Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe paria e judenjve e paditën para meje dhe kërkuan ta dënoja. 16 Unë iu përgjigja se ndër romakët nuk është zakon të lëshohet ndokush në dorë të ndokujt para se i padituri të ndësynohet me paditësit e ta ketë mundësinë të mbrohet prej akuzës. 17 Pasi zbritën së bashku me mua këtu, pa vonuar, ditën e nesërme, hipa ne selinë e gjykatores dhe urdhërova të sillej ai njeri. 18 Paditësit e rrethuan, por nuk e paditën për asnjë krim që unë mendoja; 19 kishin kundër tij disa gjëra lidhur me besimin e tyre e lidhur me një farë Jezusi që ka vdekur, por që Pali pohon se është i gjallë. 20 Dhe vetë, pasi s’dija si të bëja në një proçes të tillë, e pyeta a mos dëshironte të përgjigjej për këtë gjë në Jerusalem, në gjyq. 21 Por, pasi Pali kërkoi të dalë në gjyq para Lartmadhërisë, urdhërova të ruhej derisa ta përcillja te Cezari.”

22 “Kam dëshirë ta dëgjoj edhe vetë këtë njeri” ‑ i tha Agripa Festit.

“Nesër do ta dëgjosh” ‑ iu përgjigj Festi.

23 Ditën e nesërme erdhën Agripa e Berenika me shkëlqim të madh dhe hynë në sallën e pritjes bashkë me oficerë të lartë e me njerëzit më të zgjedhur të qytetit. Në urdhër të Festit e sollën Palin. 24 Atëherë Festi tha:

“Mbret Agripë dhe ju të gjithë të tjerët që jeni këtu me ne! Shikojeni këtë njeri! Mbarë populli i Judesë më ka rënë në derë në lidhje me të në Jerusalem e këtu, duke bërtitur se ky njeri s’duhet të jetojë më! 25 Por unë jam plotësisht i bindur se nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen e, pasi ai vetë kërkoi të dalë në gjyq para Lartmadhërisë, vendosa ta dërgoj. 26 Pasi nuk kam asnjë të dhënë të sigurt që t’ia shkruaj Zotërisë për të, po e qes para jush, sidomos para teje, Mbreti Agripë, që, pas këtij shqyrtimi, të kem çka të shkruaj. 27 E njëmend, më duket krejtësisht e paarsyeshme të dërgoj të burgosurin e të mos e shënoj padinë e tij.”

Veprat e Apostujve: 26. Pali mbrohet para Agripës

26

1 Atëherë Agripa i tha Palit:

“Ke leje të mbrohesh!”

Pali e shtriu dorën dhe nisi të mbrohet:

2 “Mbret Agripa! E mbaj veten fatlum që, ja, sot më takoi të arsyetohem para teje për të gjitha çështjet me të cilat më padisin judenjtë, 3 sepse ti i njeh fare mirë të gjitha zakonet dhe mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim!

4 Jetën time, që prej rinisë më të hershme, të kaluar mes popullit tim, në Jerusalem, e njohin të gjithë judenjtë. 5 Ata më njohin qëmoti e, nëse duan, mund ta dëshmojnë se kam jetuar sipas mënyrës më të ashpër të fesë sonë, si farise. 6 Dhe tani po gjykohem për shkak të shpresës në premtimin që Hyji ua bëri etërve tanë. 7 Po këtë premtim, dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë vazhdimisht Hyjit natë e ditë, e presin me afsh të plotësohet. Pikërisht për shkak të kësaj shprese, o mbret, po më padisin judenjtë. 8 Përse të çmohet e pabesueshme prej jush se Hyji i kthen të vdekurit në jetë?

9 Po! Edhe unë dikur kam qenë i mendimit se më duhet ta luftoj me të gjitha fuqitë Emrin e Jezusit prej Nazaretit. 10 Këtë gjë e kam bërë në Jerusalem: shumë shenjtër, pasi mora autorizimin prej kryepriftërinjve, i futa në burg e, kur i dënonin me vdekje, edhe unë votoja kundër tyre. 11 Për më tepër, nëpër mbarë sinagogat, shpeshherë duke përdorur, torturat, jam munduar t’i bëj të blasfemojnë dhe, i tërbuar pa masë në hidhërim kundër tyre, i kam salvuar edhe në qytetet e huaja.”

Pali flet për kthimin e vet

(Vap 9, 1‑19;22, 6‑16)

12 “Në këtë gjendje shpirtërore, me fuqizim e autorizim të kryepriftërinjve, u nisa të shkoj në Damask. 13 Isha duke udhëtuar ‑ e ishte pika e mesditës – dhe ja, o mbret, shoh se po vjen prej qiellit një dritë më e shndritshme se dielli ‑ më mbuloi me dritë mua dhe bashkudhëtarët e mi. 14 Të gjithë ramë për tokë e unë dëgjova një zë që më tha hebraisht: ‘Saul, Saul, pse po më salvon? Vështirë e ke të hedhësh shqelma kundër hostenit!’ 15 Unë thashë: ‘Kush je, o Zot?’ E Zoti u përgjigj: ‘Unë jam Jezusi që ti e salvon! 16 Por çohu, drejtohu në këmbët e tua! Ja, përse t’u dëftova: dua të të bëj shërbyes dhe dëshmitar të këtij vegimi dhe të vegimeve të tjera që do të kesh. 17 Unë do të të shpëtoj prej popullit hebre dhe prej paganëve, te të cilët po të dërgoj 18 për t’u hapur sytë e për t’i kthyer prej territ në dritë, prej pushtetit të djallit te Hyji, që ta fitojnë faljen e mëkateve dhe të kenë pjesë në trashëgimin e të shenjtëruarve me anë të besimit në mua. ’”

Pali, dëshmitari i Jezusit për judenj e për paganë

19 “Që atëherë, o mbret Agripa, nuk i kundërshtova vegimit qiellor, 20 por u kam predikuar, më së pari atyre në Damask e atëherë edhe atyre në Jerusalem, mbarë dheut të hebrenjve e të paganëve që të pendohen e të kthehen kah Hyji, duke jetuar në mënyrën që i përket këtij kthimi. 21 Për këtë arsye judenjtë më kapën në Tempull e deshën të më vrisnin. 22 Me ndihmën e Hyjit, ja, deri në ditën e sotme po vazhdoj t’i jap dëshmi të madhit e të voglit, pa thënë tjetër vetëm çka kanë parafolur profetët e Moisiu se do të ndodhë: 23 Krishti do të pësojë dhe se Ai, i pari i ngjallur ndër të vdekurit, do t’i lajmërojë Popullit hebre dhe paganëve dritën e shëlbimit.”

Pali i bën apel besimit e Agripës

24 Ndërsa Pali po mbrohej në këtë mënyrë, Festi me zë të lartë i tha. “Të ka lënë mendja, o Pal! Dija e madhe t’i ka marrë mendtë!” 25 E Pali: “Jo, nuk më ka lënë mendja, o i përndritshmi Fest, ‑ i tha ‑ por flas fjalë të vërteta e të arsyeshme. 26 Sepse edhe mbreti, të cilit po i drejtohem me liri e bindje, i di mirë të gjitha këto dhe jam plotësisht i bindur se asgjë prej këtyre nuk i është e panjohur, sepse këto nuk kanë ngjarë diku në një skaj të fshehtë. 27 Ti, o mbreti Agripë, a u beson profetëve? E di se u beson!”

28 Atëherë Agripa i tha Palit:

“Me pak mund po mundohesh të ma mbushësh mendjen se më bëre të krishterë.”

29 Pali u përgjigj:

“Edhe pak a edhe shumë, e bëftë Hyji që, jo vetëm ti, por edhe të gjithë këta që po më dëgjojnë sot të bëhen mu si jam unë... me përjashtim veç të këtyre prangave.”

30 Atëherë u ngritën mbreti, sundimtari, Berenika dhe ata që kishin marrë pjesë me ta në mbledhje. 31 Duke u shpërndarë i thoshin njëri‑tjetrit: “Ky njeri s’bën asgjë që të meritojë vdekjen ose prangat.” 32 Agripa i tha Festit: “Ky njeri ka mundur të lirohet që më parë po të mos kishte kërkuar të gjykohet para perandorit.”

Veprat e Apostujve: 27. Pali niset për Romë

27

1 Kur u pru vendimi të udhëtojmë për Itali, Palin me disa të burgosur të tjerë ia dhanë në dorëzim një centurioni që quhej Jul e ishte prej kohortës Auguste. 2 hipëm, pra, në një anije adramitine, e cila udhëtonte gjatë porteve të detit të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte Aristarku, një maqedon nga Selaniku. 3 Të nesërmen arritëm në Sidon. Juli, që sillej njerëzisht me Palin, i dha leje të shkojë ndër miq për të marrë ndonjë shërbim prej tyre. 4 Prej andej morëm detin e lundruam afër Qipros ‑ sepse i kishim erërat e kundërta ‑ 5 dhe kaluam detin gjatë brigjeve të Cilicisë e të Pamfilisë dhe arritëm në Mirën e Licisë. 6 Këtu centurioni gjeti një anije nga Aleksandria që udhëtonte për Itali dhe na ngarkoi në të.

7 Për shumë ditë udhëtuam ngadalë dhe mezi arritëm në Knid. E, pasi era nuk ua lejoi të ndalej anija në port, vazhduam për nën Kretë, në anë të Salmonës 8 dhe mezi e kaluam e arritëm në një vend që quhet “Portet e Mira” afër të cilit është qyteti i Lasejës.

9 Por, pasi kishte kaluar shumë kohë, kështu që lundrimi ishte bërë i rrezikshëm ‑ sepse kishte kaluar Agjërimi i madh ‑ Pali i këshilloi: 10 “Burra ‑ u thoshte ‑ unë shoh se lundrimi do të dalë me vështirësi dhe me dëm të madh, jo vetëm për mallra e për anije, por edhe për jetën tonë.” 11 Por centurioni më tepër i besonte timonierit e të zotit të anijes se sa vërejtjeve të Palit. 12 E, pasi porti nuk ishte i përshtatshëm për të kaluar dimrin, shumica propozuan të nisemi prej andej, me shpresë që ta arrinim Feniksin, një port të Kretës, që është i çelur nga jugperëndimi e veriperëndimi dhe aty ta kalonim dimrin.

Stuhia e detit

13 Ndërkaq, u çua një puhi e lehtë shiroku, ata pleqëruan se ky mendim mund të realizohej, hoqën spirancën dhe lundruan gjatë bregut të Kretës. 14 Por pas pak kohe u tërbua një erë e fortë, që quhet veri‑lindore. 15 Anija e rrëmbyer, u bë e paaftë t’i qëndrojë erës; ne u lëshuam të na hedhë andej e këndej. 16 Duke lundruar në shtrojerën e një ishulli të vogël, që quhet Kauda, mezi mundëm ta kapnim sandallin e shpëtimit. 17 Kur e ngritën në barkë, i përdorën veglat e shpëtimit: me litar e ngjeshëm anijen. Prej frikës që të mos mbesim në zall, në Sirtë, e lëshuan spirancën notuese. Kështu barteshim andej‑këndej. 18 Pasi stuhia na rrahte me tërbim, të nesërmen, hodhën mallrat në det 19 e të tretën ditë, me duar të veta hodhën veglat e pajisjet e anijes. 20 Për shumë ditë nuk u pa as dielli as yjet; stuhia tërbohej gjithnjë e më tepër: kishte humbur çdo shpresë se do të shpëtojmë.

21 Për një kohë të gjatë askush s’kishte ngrënë. Atëherë Pali u ngrit në mes e tha: “More burra, është dashur të më kishit dëgjuar e mos ta kishim lënë Kretën; i kishim shpëtuar këtij rreziku e dëmi. 22 Por tani po ju porosis: merrni zemër, sepse asnjë prej jush nuk do të birret, me përjashtim të anijes. 23 Sonte m’u lajmërua engjëlli i Hyjit, të cilit i përkas dhe të cilit i shërbej 24 e më tha: ‘Mos ki frikë, Pal, ti duhet të dalësh para Cezarit dhe, ja, Hyji do t’ua falë jetën të gjithë atyre që lundrojnë me ty!’ 25 Prandaj, merrni zemër, o vëllezër! Unë i besoj Hyjit e s’mund të ndodhë ndryshe përveçse si më ka thënë Ai. 26 Na duhet të ndeshemi patjetër në një ujdhesë.”

27 Ishte e katërmbëdhjeta natë që na rrahte stuhia andej e këndej në Detin e Mesdheut, kur, diku rreth mesnatës, detarët e morën me mend se po i afroheshim tokës. 28 Si hodhën plumbçin, gjetën tridhjetë pashë thellësi; pak më vonë e hodhën përsëri dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.

29 Pasi druanin se mos përplaseshin me shkëmbinj, hodhën katër spiranca prej popes e pritnin me afsh të zbardhte drita. 30 Kur detarët, me mendim të iknin nga anija, ulën sandallin në det, gjasme donin të hidhnin spirancat nga kiçi, 31 Pali i tha centurionit dhe ushtarëve. “Nëse këta nuk rrinë në anije, ju s’do të shpëtoni.” 32 Atëherë ushtarët i prenë konopët e sandallit dhe e lanë të bjerë në det.

33 Duke pritur të agonte drita, Pali i nxiste të gjithë të hanin bukë. U thoshte: “Është e katërmbëdhjeta ditë që pa farë ushqimi prisni me zemërim e nuk hani gjë. 34 Ju lutem, pra, hani se ju vlen për shpëtimin tuaj! Prapë po ju siguroj se asnjërit prej jush as një fije floku prej kresë s’do t’i humbasë!” 35 Si i tha këto fjalë, mori bukën, falënderoi Hyjin në sy të të gjithëve, e theu dhe filloi të hajë. 36 Atëherë të gjithë morën zemër, morën edhe ata e hëngrën. 37 Ishim në anije të gjithë së bashku dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë vetë. 38 Pasi u nginë, nisën ta lehtësojnë anijen duke e hedhur grurin në det.

Anija thyhet

39 Kur zbardhi drita, detarët nuk e njohën tokën. Hetuan një gji në breg të rrafshtë dhe vendosën, nëse do të ishte e mundur, ta shtienin anijen atje. 40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë në det. Njëkohësisht zgjidhën edhe të lidhmet e timonit, e ngrehën velin paranik në drejtim të erës dhe u drejtuan nga bregu. 41 Por hasën në cektinë e anija u ngul në rërë: pjesa e parë e ngulur nuk luante vendit, kurse kiçin e shkallmonte stuhia e valëve.

42 Atëherë ushtarët menduan t’i mbysin të burgosurit, prej frikës se ndonjëri prej tyre, pasi të shpëtojë me not, do të ikë. 43 Por centurioni, pse donte ta shpëtonte Palin, nuk i la ta çonin në vend këtë mendim: dha urdhër që ata që dinin not të kërcenin të parët në ujë e të dilnin në tokë, 44 kurse të tjerët le të shpëtonin, kush me dërrasë e kush me copa të thyera të anijes.

Kështu të gjithë dolën në tokë shëndoshë e mirë.

Veprat e Apostujve: 28. Pali në ishullin e Maltës

28

1 Vetëm pasi shpëtuam e morëm vesh se ishulli quhej Maltë. 2 Vendasit na treguan një njerëzi të jashtëzakonshme. Ndezën një zjarr të madh e të gjithëve na afruan përreth tij, sepse kishte filluar të bjerë shi e bënte ftohtë. 3 Pali mblodhi një krah rrozga e i hodhi në zjarr. Kur, ja, prej të nxehtit doli një gjarpër dhe iu kap për dore. 4 Kur vendasit panë se si gjarpri i varej për dore, i thanë njëri‑tjetrit: “Ky njeri qenka me siguri vrasës: i shpëtoi detit, por Drejtësia nuk e lë të jetojë!” 5 Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk i ndodhi kurrnjë e keqe. 6 Ata pritnin që menjëherë të ënjtej e të binte i vdekur, porse, pas një pritjeje të gjatë, panë se atij s’po i ndodhte asgjë e jashtëzakonshme. Atëherë ndërruan mendim e thoshin: “Qenka hyj!”

7 Në afërsi të atij vendi ishte prona e kryetarit të ishullit, që quhej Publius. Ai na priti e na përbujti bujarisht për tri ditë. 8 I ati i Publit ishte në shtrat ndër ethe e i sëmurë nga barku i keq. Pali hyri tek ai, u lut, e bekoi duke vënë duart mbi të dhe e shëroi. 9 Pas kësaj ngjarjeje filluan të vijnë edhe të sëmurë të tjerë të ishullit e shëroheshin. 10 Ata atëherë na bënë nderime të shumta e, kur rimorëm lundrimin, na sollën ushqimet që na nevojiteshin.

Pali arrin në Romë

11 Pas tre muajsh lundruam me një anije prej Aleksandrie e cila kishte dimëruar në ishull e për shenjë kishte Dioskurët. 12 Kur mbërritëm në Sirakuzë, u ndalëm aty tri ditë. 13 Prej këndej, duke lundruar buzë bregut, u kapëm në Regj. Të nesërmen filloi të fryejë shiroku e për dy ditë arritëm në Puteol, 14 ku gjetëm disa vëllezër, të cilët na ndalën të rrinim tek ata shtatë ditë.

E kështu arritëm në Romë.

15 Kur vëllezërit e atjeshëm dëgjuan se kemi arritur, na dolën para që prejTregut të Apiut e deri te Tri Pijetoret. Pali, kur i pa, falënderoi Hyjin dhe u ngushëllua në shpirt.

16 Kur arritëm në Romë, Pali e mori lejen të kishte banesën e vet të veçantë me një ushtar që e ruante.

Pali predikon në Romë

17 Pas tri ditësh Pali i grishi në takim udhëheqësit e judenjve. Kur erdhën, u tha:

“Vëllezër, edhe pse unë nuk kam bërë asgjë as kundër popullit tonë, as kundër traditave të të parëve, megjithatë në Jerusalem më kanë lidhur e më kanë dorëzuar romakëve. 18 Romakët, pasi më morën në pyetje, deshën të më lirojnë, sepse nuk kisha bërë kurrfarë vepre që të meritoja vdekjen. 19 Por, pasi judenjtë kundërshtuan, qesh i shtrënguar t’i drejtohem gjyqit të Cezarit: e jo, pra, që kam pasur për qëllim ta padis për ndonjë gjë timen. 20 Pra, për këtë arsye kërkova të takohem me ju e të bisedojmë, sepse për të vërtetë, këto pranga i mbaj për shkak të shpresës së Izraelit.”

21 Ata i thanë:

“Ne nuk kemi marrë prej Judeje kurrfarë letre lidhur me ty e, as prej vëllezërve që erdhën prej andej, s’kemi dëgjuar gjë të keqe as kurrfarë fjale për ty. 22 Megjithatë ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje çka ti mendon, sepse për atë sekt dimë vetëm se has gjithkund në kundërshtime.”

23 Atëhere, pasi ia caktuan ditën, erdhën në banesën e tij në një numër edhe më të madh. Në shtjellimin e vet, Pali u dëshmonte Mbretërinë e Hyjit e, prej mëngjesit deri në mbrëmje u mundua t’ua mbushë mendjen të besojnë në Jezusin në bazë të Ligjit të Moisiut e të Profetëve. 24 Fjalët e tij disave ua mbushën mendjen, kurse disa të tjerë s’deshën të binden. 25 Kur, ashtu të pa marrë vesh me njëri-tjetrin, po shpërndaheshin, Pali shtoi edhe këtë fjalë:

“Mirë u tha Shpirti Shenjt të parëve tuaj me gojë të Isaisë profet:

26 ‘Shko te ky popull e thuaj:

me veshë tuaj do të dëgjoni,

por gjë s’do të kuptoni;

mirë do të shikoni,

por gjë s’do të shihni.

27 Guruar është zemra e këtij populli,

veshët u janë shurdhuar,

sytë u janë verbuar,

që me sy të mos shohin,

me veshë të mos dëgjojnë,

që të mos kthehen

e unë t’i shëroj.’

28 Ta dini, pra, të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve joçifutë. Ata do ta dëgjojnë. ”[29]

30 Plot dy vjet jetoi Pali në banesën që vetë e paguante. Aty i pranonte të gjithë ata që shkonin në takim me të. 31 Predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe mësonte me liri të plotë e pa kurrfarë pengese të vërtetën mbi Jezu Krishtin Zot.