Efesianëve: 1. Bekimi shpirtëror në Krishtin

1

1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit për vullnet të Hyjit:

shenjtërve që janë (në Efes), besimtarëve në Jezu Krishtin.

2 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!

Bekimi shpirtëror në Krishtin        

3 Qoftë bekuar Hyji.

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili na bekoi

me çdo bekim shpirtëror

në qiell

në Krishtin.

4 Në Të na zgjodhi

para krijimit të botës

që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij

në dashuri.

5 Ai na parashënoi për vete

të jemi bij në shpirt

në saje të Jezu Krishtit

me pëlqimin e vullnetit të vet

6 për nder të lavdisë së hirit të tij

me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

7 në Të, në saje të gjakut të tij,

e fituam shpërblimin;

në Të na u falën fajet

me anë të begatisë së hirit të tij,

8 të cilin Hyji e ndikoi në ne

bashkë me çdo urti e kuptim.

9 Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet ‑ synim që lirisht kishte vendosur që më parë ta kryente në Të ‑

10 kur të plotësohej koha:

d. m. th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit,

të gjitha qeniet që janë

në qiell e në tokë.

11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë

‑ të paracaktuar

me vendim të Atij

që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑

12 të jemi në nder të lavdisë së tij

‑ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin.

13 Po në Të edhe ju

që e dëgjuat fjalën e së vërtetës

‑ Ungjillin e shëlbimit tuaj ‑

pasi besuat në Të,

u vulosët me Shpirtin Shenjt ‑ të Premtuarin ‑

14 që është pengu i trashëgimit tonë:

për shpërblimin e plotë të atyre

që u bënë pronë e Hyjit ‑

në nder të Lavdisë së tij.

Lutja e Palit

15 Prandaj edhe vetë, që kur dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, 16 nuk pushoj së falënderuari për ju e së kujtuari ju në lutjet e mia, 17 që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; 18 t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, 19 dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij,

20 të cilën e tregoi me vepër në Krishtin

duke e ngjallur nga të vdekurit

dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,

21 mbi çdo Principatë, Pushtet,

Fuqi, Zotërim

dhe mbi çdo emër që mund të përmendet

jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.

22 Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij

e Atë e vendosi mbi çdo gjë

‑ për Krye të Kishës,

23 e cila është Trupi i tij,

plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.

 

Efesianëve: 2. Prej vdekjes në jetë

2

1 Edhe ju ishit të vdekur për shkak të fajeve e të mëkateve tuaja, 2 në të cilat dikur keni jetuar, kur ndiqnit parimet e këtij shekulli, të prijësit që sundon mes qiellit e tokës, sipas atij shpirti që tani vepron në bijtë e padëgjesës... 3 Ndër ta edhe ne dikur jetonim në prirjet e ulëta të mishit e të gjakut tonë duke i kënaqur epshet e mishit e të sedrës dhe, prej natyre, ishim edhe ne, si tjerët, bij të lëshuar në dorë të hidhërimit.

4 Porse Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, 5 ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ 6 dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: 7 që me mirësinë e tij ndaj nesh në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e vet të patregueshme. 8 Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! 9 E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet. 10 Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira, që Hyji i përgatiti që më parë që të jetojmë në to.

Një gjë e vetme në Krishtin

11 Këndej le t’ju bjerë në mend se dikur ishit paganë në trup ‑ quheshit “të parrethprerë” prej atyre që mbahen të rrethprerë, me dorë, në trup! 12 Le t’ju bjerë në mend se në atë kohë ishit pa Mesinë, të përjashtuar nga nënshtetësia e Izraelit, të huaj për Besëlidhjet e premtimit, ishit të pashpresë e të pahyj në botë. 13 Por tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘afër’ ‑ në saje të gjakut të Krishtit.

14 Përnjëmend Ai është Paqja jonë,

Ai që prej dy popujve bëri një

e përmbysi murin ndarës

d. m. th. armiqësinë ‑

në trupin e vet.

15 Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret,

me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve,

të trajtonte në vetvete një njeri të ri

e, duke vendosur paqen,

16 të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin

me anë të kryqit

duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë.

17 E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen

juve që ishit larg

paqen edhe atyre që ishin afër.

18 Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra,

kemi të drejtë të dalim para Atit

në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.

19 Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. 21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.

 

Efesianëve: 3. Misioni i Palit ndër paganë

3

1 Për këtë arsye unë Pali, i burgosuri i Krishtit [Jezus] për ju paganët...

2 Mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, 3 [se] me zbulesë qesh vënë në njohuri të Misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. 4 Duke e lexuar mund ta kuptoni se si unë e marr vesh Misterin e Krishtit, 5 i cili nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: 6 se paganët ‑ në Jezu Krishtin ‑ janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit, 7 mbarështuesi i të cilit u bëra me anë të dhuratës së hirit të Hyjit që m’u dha me fuqinë mrekullisht vepruese të tijën.

8 Mua, më të voglit ndër të gjithë shenjtërit, m’u dha ky hir: t’ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit, 9 e të bëj të dalë në dritë [para të gjithëve] si vihet në veprim Misteri i mbajtur fshehur që prej amshimit në mendjen e Hyjit, Krijuesit të rruzullimit, 10 që tani ‑ me anë të Kishës ‑ të njoftohen Principatat e Pushtetet në qiell lidhur me dijen e shumëllojshme të Hyjit ‑ 11

të synuar që prejamshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë. 12 Në të kemi, në saje të besimit në Të, lirinë t’ i afrohemi Hyjit me plot shpresë. 13 Prandaj po ju lutem të mos ju lëshojë zemra për shkak të vuajtjeve të mia që i pësoj për ju! Ato janë nder për ju!

Njohja e dashurisë së Hyjit

14 Për këtë arsye i përkul gjunjët e mi para Atit, 15 prej të Cilit merr emrin e vet çdo atësi në qiell e mbi tokë, 16 që të denjohet, në saje të begatisë së Lavdisë së vet, t’ju forcojë me anë të Shpirtit të vet në fuqi për të mirën e njeriut të brendshëm, 17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të fesë në mënyrë që, të rrënjosur e të themeluar në dashuri, 18 të mund ta kuptoni bashkë me të gjithë shenjtërit çka është Gjerësia, Gjatësia, Lartësia dhe Thellësia 19 e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që kapërcen çdo dije kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit.

20 E Atij, që, në saje të fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë shumë më tepër se ne mund të kërkojmë ose edhe mund të mendojmë, 21 Atij i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin në të gjitha breznitë e jetës së jetëve. Amen.

 

Efesianëve: 4. Një trup i vetëm

4

1 Ju përbej, prandaj, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: 2 me plot përvujtëri, butësi e duresë; durojeni njëri‑tjetrin me dashuri! 3 Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. 4 S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. 5 Nuk ka veçse një Zot, një fe, një pagëzim; 6 një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.

7 Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. 8 Këndej edhe thuhet:

‘Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve.’

9 E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çfarë do të thotë tjetër, përveçse më parë “zbriti” këtu poshtë, përmbi tokë? 10 Ai që “zbriti, është po Ai që “u ngrit” mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. 11 E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa të tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, disa të tjerë barinj dhe mësues, 12 që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, 13 derisa të gjithë ta arrijmë njësinë e fesë dhe njohjen e Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit: 14 që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë letrash të njerëzve që me dredhi i hapin udhën gabimit. 15 Por, duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, të rritemi në çdo pikëpamje drejt Atij që është Kryet ‑ Krishtit. 16 Prej tij, Trupi i tërë, si një cope, mirë i lidhur në një, në atë mënyrë që çdo gjymtyrë ndihmon sipas funksionit që iu dha veçanërisht secilës pjesë dhe e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri.

Jeta e vjetër e jeta e re

17 Pra them këtë dhe përbej në Zotin: mos jetoni siç jetojnë paganët ‑ në kotësinë e mendjes së tyre: 18 me mendje të errësuar, larg nga jeta e Hyjit, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. 19 Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë pas shfrenisë, në mënyrë që, të shtyrë prej lakmimit, të bëjnë çdo poshtërsi.

20 Ju veç nuk keni qenë mësuar kështu mbi Krishtin, 21 në qoftë se keni dëgjuar për të dhe në qoftë se keni qenë mësuar sipas së vërtetës që është në Jezusin: 22 në fuqi të së cilës ju duhet ta flakni tej mënyrën e mëparshme të jetesës ‑ njeriun e vjetër, të cilin prirjet e ulëta e çojnë në bjerrje, 23 dhe duhet të përtëriheni me shpirtin e mendjes tuaj 24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.

Rregulla e jetës së re

25 Prandaj flakeni gënjeshtrën dhe secili le t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrët e njëri‑tjetrit. 26 Po u zemruat? Mos mëkatoni! Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj! 27 Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli!

28 Kush vidhte, më të mos vjedhë, por më fort le të punojë me duar të veta drejtësisht që të ketë çka t’i japë atij që është në nevojë. 29 Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës tuaj, por, nëse është nevoja, thuajeni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’u sjellë hir atyre që dëgjojnë.

30 Mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit.

31 Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. 32 Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; faleni njëri‑tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin.

 

Efesianëve: 5. Jetoni porsi bij të dritës

5

1 Përngjajini Hyjit porsi bij të dashur 2 dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli “që jep erë të mirë”.

3 Fëlligështia ose çdo lloj papastërtie ose lakmimi as të mos zihet në gojë ndër ju, siç u ka hije shenjtërve. 4 Po as llafe të ndyta, as marri, as fjalë me dy vështrime që nuk kanë hije, por më mirë falënderime. 5 Sepse dijeni mirë këtë: asnjë fëlligështar, asnjë kurvar, asnjë lakmues pasurie ‑ që është idhujtar ‑ nuk ka pjesë në Mbretërinë e Krishtit e të Hyjit.

Jetoni porsi bij të dritës

6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota: për këto gjëra bie hidhërimi i Hyjit mbi njerëzit e padëgjueshëm. 7 Mos kini, pra, kurrgjë të përbashkët me ta!

8 Po, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. 9 Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta ‑ 10 vendosni të bëni çka i pëlqen Hyjit! 11 Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbulojini! 12 Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të fliten! 13 E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vet të vërtetë, 14 sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë:

Zgjohu ti që fle,

ngrihu nga të vdekurit,

dhe do të të shndrisë Krishti!’

15 Vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, 16 të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. 17 Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por të dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. 18 Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. 19 Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! 20 Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!

21 Nënshtrohuni njëri‑tjetrit në frikën e Krishtit!

Bashkëshortët

22 Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. 23 Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës ‑ Ai, Shëlbuesi i Trupit. 24 Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka.

25 Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të 26 për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me larje dhe me fjalë, 27 që të bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë gjë si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë.

28 Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta ‑ porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. 29 Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. 30 Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. 31 ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të jenë një trup i vetëm.’ 32 Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën.

33 Shkurt, për sa u përket juve, secili prej jush le ta dojë gruan e vet porsi vetveten e gruaja le ta nderojë burrin e vet.

 

Efesianëve: 6. Fëmijët e prindërit

6

1 Fëmijë, dëgjojini prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë. 2 “Ndero babain tënd dhe nënën” ‑ është urdhri i parë me premtim: 3 ”që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe!”

4 Ju, o prindër, mos i hidhëroni fëmijët tuaj, por edukojini me disiplinë e me këshilla që vijnë prej Zotit.

Skllevërit dhe zotërinjtë

5 Skllevër, dëgjojini zotërinjtë tuaj tokësorë me nderim e bindje në thjeshtësinë e zemrës ‑ porsi Krishtin. 6 Jo për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si skllevërit e Krishtit, të cilët me vetëdije e kryejnë vullnetin e Hyjit, 7 dhe me ëndje shërbejnë, porsi Zotit e jo njerëzve, 8 duke ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav qoftë i lirë, për këtë do ta marrë pagën prej Zotit.

9 Por edhe ju, zotërinj, silluni edhe ju ashtu kundrejt tyre: larg jush mendimi t’i ndëshkoni! Dijeni se Zotëruesi i tyre dhe juaji është në qiell! Te Ai nuk ka krahambajtje!

Luftojeni të keqen

10 Kështu këndej forcohuni në Zotin dhe në fuqinë e pakufishme të tij! 11 Ngjeshuni me armët e Hyjit që të mund t’u bëni ballë pritave të djallit. 12 Sepse, nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij të hapësirës qiellore. 13 Prandaj ngjeshni të gjitha armët e Hyjit që të mund të qëndroni përballë në ditën e ligë e, pasi të ngadhënjeni mbi të gjitha, të qëndroni zotërues të fushës. 14

Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën dhe veshni drejtësinë në vend të pancirës, 15 mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes! 16 Në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me të do të mund t’i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit! 17 Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, d. m. th. Fjalën e Hyjit!

18 Lutuni në bashkim me Shpirtin Shenjt me çdo uratë e lutje në çdo rast! Prandaj edhe rrini zgjuar me shumë qendresë dhe në lutje për të gjithë shenjtërit. 19 Lutuni edhe për mua, që Hyji të ma zhdërvjellë gjuhën dhe të më japë fjalë të përshtatshme për ta kumtuar plot guxim misterin e Ungjillit, 20 i dërguari i të cilit jam në pranga, që të mund të flas me guximin e duhur.

Përshëndetjet e fundit

21 Dhe që ju të dini si jam dhe çka bëj, për çdo gjë do t’ju vërë në dijeni Tihiku, vëllai i dashur dhe ndihmësi besnik në Zotin. 22 Atë po e dërgoj te ju pikërisht për këtë punë që të dini si jemi dhe që t’i ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Hyji Atë dhe Zotëria Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri bashkë me fenë!

24 Paçin hir të gjithë ata që e duan Jezu Krishtin, Zotërinë tonë me dashuri që nuk mbaron.