1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Sofonisë, birit të Kusit, birit të Godolisë, birit të Amarisë, birit të Ezekisë, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës.
I. DITA E ZOTIT NË JUDE
Ngjarje kozmike
2 Gjë pa shqimur nuk do të lë
përmbi faqen e dheut ‑
thotë Zoti.
3 Do të shfarosë njeri e kafshë,
do ti zhduk shpendët e qiellit
e peshqit e detit,
do ti shkallmoj të patenzonët
farën njerëzve do tua tres mbi tokë,
‑ thotë Zoti.
Kundër nderimit të hyjnive të huaja
4 Kundër Judës do ta ngre dorën
e mbi të gjithë banorët e Jerusalemit,
do ti zhduk nga vendi tepricat e Baalit,
emrin e rojtarëve e të priftërinjve të tij
5 edhe ata që mbi pullaze adhurojnë
ushtritë qiellore,
ata që adhurojnë e në Zotin përbetohen,
por që përbehen edhe në Melkolmin,
6 ata që se ndjekin Zotin,
që me Zotin nuk këshillohen
e që atë nuk e kërkojnë.
7 Heshtni para Zotit Hyj,
sepse është afër Dita e Zotit!
Gati e bëri Zoti një therore
e i shenjtëroi të grishurit e vet!
Kundër të mëdhenjve të oborrit
mbretëror
8 Do të ndodhë Ditën e flijimit të Zotit:
Do ti ndëshkoj princat,
bijtë e mbretërve
e të gjithë ata që vishen
me petka të huajsh,
9 do ti ndëshkoj të gjithë ata
që me krenari e kapërcejnë pragun,
që e mbushin shtëpinë e zotërisë së vet
me fajësi e me dredhi.
Kundër tregtarëve të Jerusalemit
10 Po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑
do të shpërthejë klithma nga Dera e Peshkut
edhe britma nga Qyteti i Ri
e nga Kodrat një poterë e madhe!
11 Ulëritni, banorët e Shterës,
se sharroi mbarë populli i Kanaanit,
mbaruan me argjend të ngarkuarit!
Kundër atyre që nuk besojnë
12 Po atë ditë
me kandil do ta kërkoj Jerusalemin
e do ti ndëshkoj njerëzit
që shtrihen mbi draun e vet
e u thotë mendja:
Zotynë nuk është në gjendje
të bëjë mirë as të bëj keq!
13 Pasuria do tu rrëmbehet,
shtëpitë e tyre do të rrënohen.
Ata shtëpi do të ndërtojnë,
porse në to nuk do të banojnë,
ata vreshta do të mbëltojnë,
porse verën sdo tua pinë!
Dita e Zotit
14 U afrua Dita e madhe e Zotit,
afër është, me hapa të shpejtë po vjen!
I hidhur është zëri i Ditës së Zotit:
në të i forti ngushtë do të jetë!
15 Ditë hidhërimi ajo ditë,
ditë travaji e ngushtice!
Ditë shkretimi e shkatërrimi,
ditë errësire edhe terri!
Ditë mjegulle e thellimi!
16 Ditë borie e kushtrimi,
kundër qyteteve qyteza,
kundër pirgjeve të larta në kënde!
17 Në ngushticë të madhe do ti vërë njerëzit,
do të ecin si të ishin të verbër
kundër Zotit pse mëkatuan!
Gjaku i tyre do të derdhet si pluhur,
porsi plehu rropullitë e tyre!
18 Nuk do të mundet ti shpëtojë
ari as argjendi i tyre.
Ditën e zemrimit të Zotit
me zjarrin e zellit të tij
do të shkatërrohet toka mbarë.
Me nxitim do ti shfarosë
të gjithë ata që e banojnë tokën!
1 Mblidhuni, bashkohuni,
o popull i padashur,
2 para se të shpërndaheni
e të treteni porsi byku,
para se të vijë mbi ju
hidhërimi i zemrimit të Zotit,
para se të vijë mbi ju
Dita e furisë së Zotit!
3 Kërkojeni Zotin,
të gjithë ju, të përvuajturit e tokës,
ju që i kryeni urdhërimet e tij!
Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë,
që disi të mund të fshiheni
Ditën e zemrimit të Zotit!
II. KUNDËR PAGANËVE
Armiku nga perëndimi: filistenjtë
4 Ja, Gaza do të mbesë e shkretë,
Askaloni do të shkretohet,
Azoti në mesditë do të dëbohet,
Akaroni do të çrrënjoset!
5 Të mjerët ju që banoni brezin e detit,
populli i Kretës!
Ja fjala e Zotit kundër jush,
o Kanaan, tokë filistenjsh:
Ashtu ty unë do të trrafshoj
sa që në ty banorë sdo të ketë!
6 Brezi i detit po do të bëhet,
mriz barinjsh e vathë bagëtish!
7 Brezi i detit do ti takojë
Tepricës së shtëpisë së Judës:
aty do ti kenë kullotat,
në mbrëmje do të kthejnë të pushojnë
në shtëpitë e Askalonit,
kur ti shohë të vijë Zoti Hyji i tyre
e ta përtërijë fatin e tyre.
Armiku nga lindja: Moabi e Amoni
8 Kam dëgjuar për fyerjen e Moabit,
e për të sharat e Amonit,
kur e fyenë popullin tim
e u lëvduan për kufijtë e tyre!
9 Prandaj, pasha jetën time
‑ thotë Zoti i Ushtrive,
Hyji i Izraelit ‑
Moabi Sodomë do të bëhet,
bijtë e Amonit si Gomorra
pronë hallugash, grumbuj kripe,
shkretëtirë për jetë e mot!
Pre do ti bëjë Teprica e popullit tim,
do ti pronësojë Teprica e popullit tim!
10 Ky do të jetë çmimi i krenarisë së tyre,
sepse shanë edhe u krenuan
kundër popullit të Zotit të Ushtrive.
11 I tmerrshëm do të jetë Zoti kundër tyre,
kur ti zhdukë të gjitha hyjnitë e tokës,
do të përkulen para tij,
secili në vendin e vet,
ishujt e të gjitha kombeve!
Armiku i jugut: Etiopia
12 Po edhe ju, o etiopas,
do të priteni prej shpatës sime!
Armiku i veriut: Asyri
13 Kundër veriut do ta ngrejë dorën,
Asyrinë do ta shfarosë,
shkretëtirë do ta bëjë Ninivën,
vend të thatë porsi shkretëtirë.
14 Mes saj do të mrizojnë grigjat,
gjithfarë lloji kafshësh të gjalla.
Pelikan e kukuvajkë
do të pushojnë në kapitele të saj,
në dritare do të buçasë huti,
në prag të derës do të krokasë korbi,
trau i cedrit pse i ra!
15 Ky është qyteti gazmues,
që jetonte në siguri,
që thoshte në zemrën e vet:
Unë jam! Përveç meje tjetër ska!
Po si kështu u bë shkretëtirë,
strofull bishash?!
Përbri tij kushdo kalon
i fërshëllen e i bën me dorë!
1 Vaj për ty, qytet kryengritës,
i papastër e i dhunshëm!
2 Se dëgjoi thirrjen,
spranoi qortimin!
Në Zotin nuk pati besim,
Hyjit të vet nuk iu afrua!
3 Mes tij princat e tij
luanë ulëritës;
gjykatësit bishë shkretëtire
që asht sruajnë për mëngjes!
4 Profetët e tij fjalëmëdhenj,
njerëz rrenacakë!
Priftërinjtë e tij dhunojnë Shenjtëroren,
dhunë i bëjnë Ligjit!
5 Në mes të tij i drejtë është Zoti,
sbën paudhësi;
çdo mëngjes e dëfton të drejtën,
porsi dritën që kurrë smungon.
Por i paudhi sdi çështë turpi!
Mësimi i kombeve
6 I shkallmova popujt,
i rrënova pirgjet e tyre,
i shkretova udhët e tyre:
askush nëpër to skalon!
Ua shova të gjitha qytetet,
kështu që smbeti asnjë banues!
7 Mendova: Tani do të më duash,
do të ma pranosh mësimin!
Sdo të zhduken prej syve të tyre
ndëshkimet që unë ua solla!
Por jo! Shpejtuan ti prishin
të gjitha veprimet e veta!
8 Prandaj, më prit ku je!
‑ është fjala e Zotit ‑
ditën kur të ngrihem paditës,
sepse vendosa të bashkoj popujt
tok ti mbledh mbretëritë,
që ta zbraz mbi ta zemërimin,
tërë hidhërimin e zemërimit tim:
në flakadanin e zellit tim
do të përpihet toka mbarë!
IV. PREMTIMET
Kthimi i popujve paganë
9 Atëherë popujve do tua bëj
buzët e pastërta,
që të gjithë të thërrasin emrin e Zotit
e krahakrahas ti shërbejnë!
10 Prej përtej lumenjve të Etiopisë,
që prej andej të devotëshmit e mi,
bijtë e të treturve të mi,
dhuratë do të më sjellin!
Teprica e përvuajtur e Izraelit
11 Po atë ditë turp më sdo të kesh
për asgjë që ke vepruar
duke u ngritur kundër meje,
sepse atëherë prej teje do të largoj
fjalëmëdhenjtë, krenarët e tu,
e sdo të vazhdosh më të krenohesh
përmbi Malin tim të shenjtë!
12 Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë
populli i përvuajtur e i varfër!
Në emër të Zotit do të kërkojë strehim
Teprica e Izraelit.
13 Paudhësi nuk do të bëjnë më,
rrena më nuk do të thonë,
në gojë të tyre sdo të gjendet më
gjuhë gënjyese!
Por do të kullosin e do të mrizojnë
pa pasur kush ti shqetësojë!
Psalme gëzimi për Sionin
14 Këndo hareshëm, bija e Sionit,
thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael!
Gëzo e galdo me gjithë zemër,
ti, bija e Jerusalemit!
15 E tërhoq Zoti dënimin tënd,
i shpërndau larg armiqtë e tu.
Mbret i Izraelit është Zoti mes teje,
ske pse më ta druash të keqen!
16 Jerusalemit atë ditë do ti thuhet:
Frikë aspak mos ki, Sion,
assesi të mos mpaken duart!
17 Në mesin tënd është Zoti Hyji yt,
trim mbi trima Shpëtimtar!
Do të galdojë për ty hareshëm,
i përmalluar nga dashuria,
do të kërcejë për ty me gëzim
18 porsi në ditë feste.
Kthimi i të shpërngulurve
Do ta tres prej teje fatkeqësinë
që kurrë më të mos jesh poshtëruar.
19 Ja, unë vetë do tua tres farën
të gjithë atyre që të kanë përndjekur.
Në atë kohë do ta shpëtoj çalamanin,
do ta sjell të humburën.
Do tu jap nder e emër të madh
në çdo vend ku qenë poshtëruar.
20 Po në atë kohë unë do tju kthej,
po në atë kohë do tju bashkoj,
do tju jap zë të madh e nder
në sy të mbarë popujve të tokës,
kur ta kryej ripërtëritjen tuaj
‑ thotë Zoti ‑ po në sytë tuaj!