Libri i Urtisë - Feja e izraelitëve ballafaqohet me helenizëm (helenizmin) Emërtimi - Dorëshkrimet greqishte këtë libër e emërtojnë: Urtia e Salomonit, kurse Vulgata e quan Libri i Urtisë. Veçanti e këtij libri është se i vetmi i BV ka qenë shkruar greqisht në origjinal. I përket grupit të librave të Besëlidhjes së vjetër që quhen deuterokanonikë. Kisha katolike e mban për libër kanonik, megjithëse ka qenë shkruar greqisht. Autori, vendi dhe koha e krijimit - Autori mbetet i panjohur dhe fshihet me pseudonim me emër të Salomonit. Kështu ndodh edhe me këtë libër si me librat e tjerë kështu të quajtur të Urtisë. Autori duhet të ketë qenë një izraelas i ditur e shumë i përshpirtshëm që ka dashur t’u japë bashkëbesimtarëve sigurinë e besimit të etërve. Mendohet se duhet të ketë qenë nga bashkësia e izraelitëve që ishin ngulur në Aleksandri, qendër e madhe kulture e kohës. Çmohet se libri u shkrua në gjysmën e parë të shekullit të parë para Krishtit. Kështu ky libër, për kah koha e krijimit, është më i afërmi libër i BV me librat e BR. Plani dhe përmbajtja - Pas grishjes që bën ta dëshirojmë urtinë. /1, 1-15/, autori vë në pah rëndësinë e madhe të urtisë në jetën e njerëzve /1, 16 - 5, 23/, përshkruan prejardhjen, natyrën, veprimtarinë e urtisë dhe shënon mjetet për t’ia arritur /10, 1 - 11, 3/. Nga kap. 11, 4 urtia ia lë fjalën Hyjit, frymës së tij, fjalës, dorës dhe krahut të tij. Me kapitujt 19, 22 përfundohet libri. Lehtë mund të shihet se libri është i planifikuar mirë dhe i ndarë në tri pjesë kryesore: Udha e Urtisë në kundërshtim me udhën e të patenzonëve /1-5/; Urtia në vetvete /6-9/; Veprimtaria e Urtisë gjatë historisë /10-19/. Autori u drejtohet bashkëbesimtarëve që të mos e humbasin identitetin fetar e kombëtar në përzierjen e madhe të kulturës pagane. Si apologjet has në vështirësinë e paraqitjes së matur të besimit të vet sepse duket se do t’i ruhet polemikës me kundërshtarët, por gjithherë e ruan maturinë e njeriut të ditur. Duket se e ka pasur mirë parasysh që edhe lexuesi i huaj i mundshëm të fitojë mendim të mirë e tërheqës për besimin e të parëve të autorit megjithëse s’mund të vërtetohet se misionarizon. Në takim me helenizmin - kulturën greke, s’ka pasur se si të mos marrë çka i ka pëlqyer për të vërtetuar bindjet e veta dhe shihet se e ka njohur deri diku zhvillimin mendor të kohës, por nuk është nën ndikimin e tij dhe e përdor gjithherë nën këndin e shikimit biblik. Si njeri i kulturuar i kohës e ka njohur në përgjithësi, por nuk bën askurrë një ballafaqim sinkretizues të mendimit të kohës me mendimin biblik. Këndej mundohet ta zhvillojë sa më fuqishëm shtjellimin e besimit në Hyjin /teologji/ dhe për herën e parë në Bibël shtrohet problemi i ekzistencës së Hyjit e përdoret argumenti i shkaktueshmërisë -kauzalitetit /13, 1-9/. Flitet edhe për njeriun dhe fatin e tij /antropologji/. Si i tillë libri është shumë afër BR: njeriu është krijuar që të jetojë /1, 12-15/, vdekja ka hyrë në botë nga smira e djallit /2, 24/, por ajo për të drejtin është shndërrim i mënyrës së jetës me kalim në pavdekësi - athanasia /hera e parë që përdoret në BV 2, 23; 3, 4; 6, 18-19 etj. /. Për këtë arsye shumë specialistë e kanë cilësuar si libër filozofie të fesë. Në takim të BV me kulturën greke, Libri i Urtisë përgatit të pranohet Jezu Krishti dhe porosia e tij. Për kohën e sotme - Libri i Urtisë ka rëndësi jo të vogël për të krishterin e ditëve tona që duhet t’i përshtatet jetës së sotme dhe, me ndryshimet e mënyrës së jetës dhe të mendimit, të mos mbetet manesh dhe njëkohësisht të mos e humbë identitetin e vet fetar. Në të do të gjejë nxitje të fortë për ta ruajtur zanafillën e vet të krishterë në takim jo të lehtë mes jetës së desakralizuar dhe të sekularizuar të sotme me Ungjillin. I. URTIA DHE FATI I NJERIUT Të kërkohet Hyji e t’i largohemi mëkatit 1 1 Duani drejtësinë, ju që gjykoni dheun, ushqeni ndjenja mirësie ndaj Hyjit dhe kërkojeni atë në thjeshtësinë e zemrës, 2 sepse atë e gjejnë ata që s’e tundojnë dhe Ai u dëftohet atyre që besojnë në Të. 3 Sepse mendimet dhelparake na ndajnë nga Hyji, kurse Gjithpushtetësia e vënë në provë i ndëshkon të patenzonët. 4 Sepse urtia nuk hyn në shpirtin keqbërës dhe nuk banon në trupin skllav të mëkatit. 5 Sepse shpirti mësues shenjterimi ikën nga shtiracaku, largohet nga mendimet e marra dhe errësohet porsa vjen papritur paudhësia. 6 Urtia është shpirt që i do njerëzit, por s’e lë pa ndëshkuar atë që fyen me buzë, sepse dëshmitari i veshkave të tija është Hyji, shqyrtuesi i vërtetë i zemrës së tij e ndjen ç’thotë gjuha e tij. 7 Vërtet shpirti i Zotit e mbush gjithësinë dhe ai që pushton gjithçka, di gjithë çka thuhet. 8 Së këndejmi, kush thotë paudhësi s’mund të fshihet dhe s’do ta kursejë drejtësia shpaguese. 9 Sepse do të shqyrtohen mendimet e të mbrapshtit, zëri i fjalëve të tija deri te Zoti do të arrijë për dënim të paudhësive të tija. 10 Sepse është një vesh që me kujdes dëgjon gjithçka saqë as pëshperitja e nynykamave s’i shpëton. 11 Ruhuni, pra, nynykames së kotë, rrudheni gjuhën nga shpifjet, sepse as fjala e fshehtë nuk do të shkojë huq dhe goja që gënjen, shpirtin e mbyt. 12 Mos e kërkoni vdekjen me gabimet e jetës suaj dhe mos e rrënoni veten me vepra të duarve tuaja, 13 sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet humbjes së të gjallëve. 14 Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues dhe Nëntoka nuk e sundon tokën: 15 sepse drejtësia është e pavdekshme. Jeta sipas mendimit të keqbërësve 16 Por keqbërësit e thërrasin vdekjen me dorë e me fjalë, duke e mbajtur për mikeshë, shkrihen për të, me të bëjnë besëlidhje, sepse janë të denjë t’i përkasin asaj. 2 1 Sepse thonë në vetëvete duke llogaritur gabimisht: “E shkurtër dhe e mërzitshme është jeta jonë, s’ka shërim kur njeriut i vjen e mbramja dhe s’dihet se ndokush u kthye nga të vdekurit. 2 Rastësisht lindëm e, pas kësaj jete, do të jemi si të mos kishim qenë kurrë! Sepse tym është fryma në hundët tona, mendimi ynë është një shkëndijë në rrahjen e zemrës sonë! 3 Kur ai mendim të fiket, trupi ynë kthehet në pluhur, kurse shpirti shpërndahet si ajri i hollë. 4 Me kohë emri ynë do të harrohet, askujt s’do t’i kujtohen veprat tona; jeta jonë do të kalojë si gjurmët e resë, do të shpërndahet si shpërndahet mjegulla që e vënë në të ikur rrezet e diellit, që zhduket nga nxehtësia e tij. 5 Po, ditët tona janë si kalimi i hijes, pas vdekjes sonë nuk ka më kthim, Ka marrë fund: askush nuk kthehet më! 6 Ejani, pra, e t’i gëzojmë të mirat që i kemi, t’i përdorim krijesat me flakërimin rinor! 7 T’i shijojmë verërat e zgjedhura dhe erërat dhe mos të na kalojë pa e shijuar asnjë lule pranverore, 8 të kurorëzohemi me boça trëndafilash të pavyshkura, 9 asnjë livadh të mos mbesë pa zdërhadhjet tona, gjithkund të lëmë shenja të gëzimit tonë, sepse kaq është pjesa jonë, fati ynë! 10 Le ta ndrydhim skamnorin e drejtë, të mos e kursejmë as vejushën të mos nderohen as pleqtë e thinjur nga mosha e thellë. 11 Ligji i drejtësisë le të jetë fuqia jonë, sepse çka është e dobët, s’ka farë vlere. 12 T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. 13 Ai shpall se e ka njohjen e Hyjit dhe veten e quan bir të Hyjit. 14 Ai është bërë një qortim i gjallë për mendimet tona, barrë na bëhet posa e shikojmë. 15 Jeta e tij ndryshon nga jeta e të tjerëve, sjellja e tij është krejtësisht e ndryshme. 16 Monedhë e rreme prej tij mbahemi dhe u shmanget udhëve tona sikurse ndyrësisë; fatin e fundit të të drejtit e çmon të lumtur dhe mburret se Hyjin e ka babë. 17 Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: 18 nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit, Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve. 19 Ta vëmë në sprovë me fyrje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. 20 Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse, siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë”! Gabimi i të patenzonëve 21 Kështu mendojnë të patenzonët, por gabojnë, i verboi paudhësia e tyre, 22 nuk i njohin fshehtësitë e Hyjit, nuk e presin shpërblimin për shenjtëri dhe nuk besojnë në shpërblimin e shpirtrave të pastër. 23 E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet, 24 por, prej smirës së Djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij. Krahasim i fatit të të drejtëve me atë të të paudhëve 3 1 Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit dhe ata s’do t’i prekë asfarë vështirësie e vdekjes. 2 Syve të të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim 3 e ndarja e tyre prej nesh si një asgjësim, kurse ata janë në paqe. 4 Po edhe nëse, në sytë e njerëzve, e sprovuan ndëshkimin, shpresa e tyre ishte plot pavdekësi; 5 për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha, sepse Hyji i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten. 6 I sprovoi porsi arin në furrë dhe i pranoi porsi fli shkrumbimi. 7 Ditën e dukjes së Hyjit do të shndrisin dhe do të lëvizin porsi shkëndijat në kallamishte: 8 do t’i gjykojnë kombet e do t’i sundojnë popujt dhe mbi ta do të mbretërojë Zoti gjithherë. 9 Ata që shpresojnë në Të do ta kuptojnë të vërtetën, ata që janë besnikë do të pushojnë në dashuri me Të, sepse të zgjedhurit e Tij fitojnë hir e mëshirë dhe Ai do t’i vizitojë të zgjedhurit e vet. 10 E të patenzonët, që e përbuzën të drejtin dhe u larguan prej Zotit, do ta fitojnë ndëshkimin e duhur sipas bindjeve të veta. 11 I mjerë është ai që e përbuz urtinë e disiplinën, e kotë është shpresa e tyre, mundi i tyre i pafryt dhe veprat e tyre janë të kota. 12 Gratë e tyre janë të marra, fëmijët e tyre të mbrapshtë dhe pjella e tyre e mallkuar. Më mirë të shuhesh se të kesh fëmijë të patenzonë 13 Lum beronja e panjollë, shtrati i të cilës nuk e njohi mëkatin: do ta ketë frytin e vet në shqyrtimin e shpirtrave. 14 Lum edhe i pafëmija që me duar të veta s’bëri paudhësi, që s’mendon punë të këqija kundër Zotit, për besnikërinë e vet do të fitojë hir të veçantë, pjesën më të dëshirueshme në Tempullin e Zotit, 15 sepse fryti i veprave të mira është i lavdishëm, e pashkatërrueshme është rrënja e urtisë. 16 Kurse fëmija e kurorëshkelësve s’do të shkojë për së mbari, dhe fara e shtratit të paudhë do të shuhet. 17 Po edhe nëse do ta kenë jetën e gjatë, do të mbahen për askushi dhe në fund pleqëria e tyre do të jetë e panderë. 18 Po qe se vdesin heret, të pashpresë do të jenë dhe ngushëllim s’do të kenë ditën e gjyqit: 19 sepse i tmerrshëm është fati i pjellës mëkatare. 4 1 Më mirë është të mos kesh fëmijë por të kesh virtytin, sepse në kujtimin e virtytit është pavdekësia, virtyti është i çmueshëm para Hyjit e para njerëzve. 2 Kur është pranë, i përngjajnë, kur s’është pranë, e dëshirojnë; i kurorëzuar ngadhënjen në amshim sepse fitoi në ndeshjet e padanga. 3 Pasardhësia e shumtë e të patenzonëve do të jetë e kotë, pinjollët bastardë rrënjë të thella s’do të lëshojnë dhe s’do të ngulë në themel të qëndrueshëm. 4 Po edhe nëse për një kohë nxjerr bulëza në gema, ashtu, e ngulur dobët, do të tundet prej erës, me rrënjë do të nxirret nga stuhia e erërave. 5 Do t’i copëtohen degët ende të njoma; frytet e saja do të jenë të padobishme, të papjekura për t’u ngrënë, pa kurrfarë vlere. 6 Sepse fëmijët që lindin nga shtrati mëkatar janë dëshmitarë të paudhësisë së prindërve ditën e shqyrtimit gjyqësor. Vdekja parakohe e të drejtit 7 I drejti, edhe nëse vdes i ri, do të gjejë qetësi. 8 Pleqëria e ndershme nuk është vjetërsia dhe s’matet nga numri i viteve: 9 në të vërtetë urtia janë thinjat e njeriut dhe jeta e patëmetë është mosha e pleqërisë. 10 Për shkak se diti t’i pëlqejë Hyjit, Hyji e deshi, e, prej se jetoi në mes të mëkatarëve, Hyji e mori te vetja: 11 qe marrë, që e keqja të mos ia prishë mendjen dhe shtiekeqësia të mos ia gënjejë shpirtin, 12 sepse joshja e vesit e errëson të mirën e stuhia e lakmimit e prish shpirtin e patëkeq. 13 Pasi për pak kohë ia doli të bëhet i përsosur, jetoi jetë të gjatë. 14 I kishte pëlqyer Hyjit shpirti i tij, prandaj edhe shpejtoi ta nxjerrë nga rrethi i mbrapshtisë. Njerëzit shikojnë, por nuk e kupton e s’di ta marrë me mendje të vet 15 se Zoti u jep hir e mëshirë të zgjedhurve të tij dhe i mbron shenjtërit e vet. 16 I drejti që vdes i dënon të paudhët që janë gjallë e rinia e përsosur në pak kohë dënon pleqërinë e pambarim të mëkatarit. 17 Do ta shohin vdekjen e të urtit, por s’do ta kuptojnë ç’mendim pati Hyji për të e pse Zoti e mori në vend të sigurtë. 18 Do të shohin e do ta përbuzin: por Zoti do t’i përqeshë. 19 S’do të vonojë e do të bëhen kufoma të urryera, diçka e urrejtshme ndër të vdekurit e përhershëm, sepse Zoti do t’i plandosë pa zë e do t’i zhdukë deri në themele, do të shqimen krejtësisht, do të vuajnë ndër dhimbje dhe kujtimi i tyre do të zhduket. Të drejtët e keqbërësit në gjyq 20 E kur të bëhet shqyrtimi i mëkateve të tyre do të paraqiten plot frikë dhe fajet e tyre do të ngrihen kundër tyre. 5 1 Atëherë i drejti do të qëndrojë ballëlart përballë atyre që e kanë salvuar dhe që i përbuzën vuajtjet e tija. 2 Posa ta shohin do t’i përshkojë një tmerr i madh dhe do të çuditen për shpëtimin e tij të papritur 3 e do të thonë në vetvete, të penduar, e do të rënkojnë për shkak të shpirtngushtësisë së tyre: 4 “Ja ai që dikur e kemi përqeshur dhe e kemi vënë në bisht të lahutës për ta poshtëruar. Të marrë ishim ne që e çmonim marrëzi jetën e tij e mbarimin e tij të pander! 5 Po tani vallë si është numëruar ndër bijtë e Hyjit dhe fati i tij na qenka të jetë me shenjtër? 6 Po, se ne e paskemi gabuar udhën e të vërtetës, dhe nuk na ka ndriçuar drita e drejtësisë e për ne nuk paska pasë lindur dielli! 7 Kemi qenë ngatërruar në ferrat e paudhësisë e të bjerrjes dhe ecëm udhës së shkretëtirës të papërshkueshme e nuk e kemi njohur udhën e Zotit. 8 Ç’vlerë pati për ne madhështia? Ç’të mirë na solli pasuria me krenari? 9 Kaluan të gjitha porsi hije, si lajmi që jepet në vrapim, 10 si anija që e përshkon ujët me valë, kalimit të së cilës nuk mund t’i gjendet gjurmë as hullisë të kurrizit të saj mbi valë; 11 si shpendi që fluturon nëpër ajër e nuk lë shenjë të kalimit të vet: çan ajrin e lehtë rrahja e flatrave ai ndahet nga forca e të sjellurave dhe pershkohet nga krahët në lëvizje, por, pas kalimit, kurrfarë shenjë e udhës nuk mbetet; 12 ose edhe porsi shigjeta e lëshuar në vend të caktuar: ajri ndahet, por menjëherë kthehet në vend të vet dhe kështu s’mund t’i dihet udha e kalimit të saj. 13 Kështu edhe ne, posa lindëm, menjëherë vdiqëm, nuk mundëm as ta dëftojmë shenjën e virtytit, në paudhësinë tonë krejtësisht u shuam”. 14 Vërtet, shpresa e të patenzonit është si hedha që e mbart era, porsi shkuma e hollë që e zhduk stuhia, porsi tymi që e shpërdan era, kalon porsi kujtimi i mikut të njëditshëm. 15 Kurse të drejtët jetojnë gjithmonë, shpërblimi i tyre është në dorën e Zotit, i Tejetlarti përkujdeset për ta. 16 Prandaj edhe do ta marrin kurorën e lavdisë, një kezë të bukur nga dora e Zotit, sepse e djathta e tij do t’u dalë zot e krahu i tij do t’i mbrojë. 17 Zellin e vet ai do ta marrë për armë, krijesën do ta armatosë për të ndëshkuar armiqtë, 18 për mburojë do të veshë drejtësinë, për përkrenare do të marrë gjyqin e e pagabueshëm, 19 për shqyt të pathyeshëm do të marrë shenjtërinë. 20 Zemërimin e vet të ashpër do ta mbrehë për heshtë, dhe rruzulli do të luftojë bashkë me të kundër të patenzonëve. 21 Do të shkojnë mirë të drejtuara gjuajtjet e rrufeve dhe, si prej harkut të ngrehur mirë, nga retë do të sulen drejt e në shenjë, 22 me bahe gurhedhëse do të hidhen kokrra breshëri të mbushura me zemërimi; kundër tyre do të tërbohet ujët e detit, lumenjtë do t’i vërshojnë pa mëshirë. 23 Një erë e fuqishme do të ngrihet kundër tyre dhe do t’i shpartallojë porsi vorbulla. Kështu paudhësia do ta shkretojë mbarë dheun, mbrapshtia do t’i rrëzojë fronet e pushtetmëdhenjve. II. SALOMONI E KËRKIMI I TË VËRTETËS Mbretërit duhet ta kërkojnë urtinë 6 1 Dëgjoni, pra, o mbretër, e mundohuni të merrni vesh; mësoni, o gjykatës të mbarë botës! 2 Prirni veshët, ju që u urdhëroni turmave e që mburreni për shumicën e popujve tuaj! 3 Sepse është Zoti ai që jua dha pushtetin, i Tejetlarti jua lëshoi në dorë sundimin: Ai do t’i vlerësojë veprat tuaja, Ai do t’i shqyrtojë mendimet tuaja! 4 Nëse, pra, si mbarështues të mbretërisë së tij, nuk gjykoni drejt, nuk e zbatoni ligjin dhe nuk jetoni sipas vullnetit të Hyjit, 5 me tmerr e shpejt Ai do të sulet kundër jush! Vërtet një gjyq tejet i rëndë ushtrohet kundër krerëve; 6 të voglit i bëhet mëshirë, ndërsa të mëdhenjtë do të ndëshkohen ashpër. 7 Sepse Hyji Zotërues nuk tërhiqet para askujt, as s’e druan madhërinë e askujt: të voglin e të madhin ai i krijoi dhe njëlloj kujdeset për të gjithë, 8 porse krerët i pret shqyrtimi i ashpër. 9 Juve, pra, o mbretër, ju drejtohen fjalët e mia, që ta mësoni urtinë e të mos bini poshtë. 10 Kush shenjtërisht i ruan gjërat e shenjta, shenjtërohet, e ata që do t’i mësojnë këto gjëra, do të gjejnë mbrojtje. 11 Prandaj kini dëshirë për fjalët e mia, dëshironi ato e do të bëheni të ditur. Urtia lihet të gjendet 12 Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet dhe, ata që e duan, e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. 13 U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre. 14 Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. 15 Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. 16 Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. 17 Sepse synimi i saj është dëshira e vërtetë për të nxënë, e kujdesi për ta mësuar, është dashuri; 18 ta duash atë është t’i ruash ligjet e saja, është të sigurosh pavdekësinë, 19 pavdekësia të bën vend pranë Hyjit; 20 kështu, pra, dëshirimi i urtisë shpie në mbretëri. 21 Nëse, pra, o mbretër popujsh, u gëzoheni froneve e skeptrave, nderojeni urtinë që të sundoni përgjithmonë! Salomoni sprovon ta përshkruajë urtinë Tani dua t’ju tregoj çka është urtia dhe si lindi ajo; s’do t’jua fsheh fshehtësitë e Hyjit. Do t’i ndjek gjurmët e saja, 22 prej zanafillës dhe do ta nxjerr në dritë dijen e saj, lak s’do t’i bëj të vërtetës. 23 S’do të bashkudhëtoj me smirën shkatërruese, sepse ajo s’ka asgjë të përbashkët me urtinë. 24 Shumë të urtë janë shpëtim për botën e mbreti i urtë i sjell mirëqenie popullit. 25 Prandaj pranoni të mësoheni prej fjalëve të mia e do të keni përfitim të madh. Salomoni ishte vetëm njeri 7 1 Edhe unë s’jam tjetër, por një njeri i vdekshëm si të gjithë, pasardhës i qënies së parë të trajtuar nga dheu, i krijuar njeri në kraharorin e nënës, 2 gjatë dhjetë muajsh i ngjizur në gjak në fuqi të farës së mashkullit e të kënaqësisë përcjellëse të gjumit. 3 Edhe vetë, i porsa lindur, mora frymë ajrin e përbashkët, rashë në tokë që njësoj mbart gjithçka dhe, si për të gjithë, zëri im i parë qe vaji. 4 Qeshë rritur në shpërgënj e me kujdes; 5 asnjë mbret nuk ka tjetër fillim të qenies: 6 hyhet në jetë dhe dilet prej saj në të njëjtën mënyrë për të gjithë. Çmimi i Salomonit për urtinë 7 Prandaj u luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. 8 E çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. 9 Gurin e paçmueshëm as që e krahasove me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë. 10 E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. 11 Bashkë me të m’erdhën të gjitha të mirat e nëpër duar të saja pasuri të panumërueshme. 12 I gëzova të gjitha këto sepse urtia u prin dhe nuk e dija se është nëna e të gjithave. 13 Çka mësova pa dredhi e dhuroj pa smirë, nuk e fsheh pasurinë e saj. 14 Sepse ajo është për njerëzit thesar i pashtershëm; kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit, të porositur nga dhuratat e mësimit të saj. Thirrje në frymëzimin hyjnor 15 Dhëntë Hyji e folsha sipas pëlqimit të tij që të jap mendime të denja për dhuratat e tija, sepse ai është prijësi i urtisë dhe ai që i udhëheq të urtët. 16 Në duar të tija jemi ne dhe fjalët tona, gjithë urtia jonë dhe aftësia e veprimit. 17 Sepse Ai ma dha urtinë e vërtetë të gjërave që janë, për ta njohur përbërjen e rruzullit dhe fuqitë e elementeve të para, 18 fillimin e mbarimin dhe mesin e kohës, ndryshimet e diellit dhe rrjedhën e stinëve 19 rrjedhën e vitit e pozicionin e yjeve, 20 natyrat e kafshëve dhe sedrën e egërsirave, fuqitë e shpirtrave dhe mendimet e njerëzve llojet e bimëve e veçoritë e rrënjëve. 21 Di gjithçka është e fshehtë e gjithçka është e zbuluar, sepse më mësoi urtia, mjeshtre e të gjitha gjërave. Lavdërim urtisë 22 Sepse në të është shpirti kuptues, i shenjtë, unik, i shumëfishtë, i hollë, i shkathtë, përshkues, i patëmetë, i ndritshëm, i pafajshëm, dashamirës, i mprehtë, 23 i papengueshëm, bamirës, njerëzor, njeridashës, i qëndrueshëm, i vërtetë, i sigurt, që i ka të gjitha virtytet, që përshkon gjithçka, depërtues i të gjithë shpirtrave të dijshëm, të pastër, tejet të hollë. 24 Sepse urtia është më e lëvizshme se çdo lëvizje, në saje të pastrisë së vet përshkon e depërton gjithçka. 25 Sepse ajo është frymë e fuqisë së Hyjit, burim i pastër i lavdisë së të Gjithëpushtetshmit, prandaj asnjë papastërti në të nuk mund të depërtojë: 26 Është bredhje e dritës së amshueshme, pasqyrë e panjollë e pushtetit të Hyjit, përngjasimi i mirësisë së tij. 27 E, pasi është një e vetme, mundet gjithçka, e, duke qëndruar në vetvete, përtërit çdo gjë. Gjatë breznive, duke hyrë në shpirtra të shenjtë, trajton miq të Hyjit e profetë, 28 sepse Hyji nuk do përveç atë që jeton me urti. 29 Ajo në të vërtetë është më e bukur se dielli, tejkalon në ndriçim çdo hyllësi, krahasuar me dritë është më e shndritshme, 30 sepse drita ia lëshon vendin territ, kurse e keqja s’mund të ngadhënjejë mbi urtinë. 8 1 Ajo e shtrin fuqinë skaj më skaj të botës dhe e drejton rruzullin me mirësi të këndshme. Urtia, bashkëshortja ideale e Salomonit 2 Këtë e desha dhe e kërkova që prej rinisë sime, bëra të pamundurën për ta marrë bashkëshorte dhe u dashurova në bukurinë e saj. 3 Bujarinë e saj ia madhëron bashkëjetesa me Hyjin sepse e do Zotëruesi i gjithësisë. 4 Sepse ajo është mësuesja e dijes së Hyjit dhe zgjedhësja e veprave të tija. 5 Nëse pasuria është kamje e dëshirueshme në këtë jetë, çka është atëherë më e dobishme se urtia që gjithçka prodhon? 6 E në qoftë se është mendja ajo që vepron, cili ndër qeniet është më mjeshtër se ajo? 7 Nëse ndokush e do drejtësinë, virtytet janë rrjedhoja e veprimit të saj: sepse ajo e mëson përkoren e mençurinë, drejtësinë e trimërinë shpirtërore, që në jetë për njerëz asgjë s’ka më të dobishme. 8 Nëse ndokush dëshiron dije më të lartë, ajo njeh të kaluarën, e parasheh të ardhmen, di të shtjellojë fjalët e urta e të zgjidhë enigmat, i parasheh shenjat e mrekullitë si dhe rrjedhën e epokave dhe të kohëve. Urtia është e domosdoshme për sundimtarë 9 Këndej edhe vendosa ta marr për shoqe jete, sepse e di se do të më jetë këshilltare në të mira dhe ngushëllimtare në kujdese e në vuajtje. 10 Në saje të saj zë të mirë do të kem në popull e ndër pleq nder, megjithëse jam i ri; 11 në pleqërime do të dal i hollë, e të mëdhenjtë, kur të më shohin, do të mrekullohen. 12 Kur të hesht, do të presin të flas, kur të flas, sytë s’do të m’i ndajnë, nëse do ta zgjas fjalën time, gojës së vet do t’i vënë dorën. 13 Me anë të saj do të fitoj pavdekësinë, do t’u lë kujtim të përhershëm atyre që pas meje do të vijnë. 14 Do t’i sundoj popujt dhe kombet do të më jenë të nënshtruara. 15 Do të tremben mbretërit e tmerrshëm kur për mua të dëgjojnë. Me popullin tim do të jem i mirë kurse në luftë trim i fortë. 16 Kur në shtëpi të kthehem pranë saj do të pushoj, sepse në shoqëri me të s’mund të ketë mërzi, bashkëjetesa me të nuk sjell vuajtje, por gëzim dhe hare. Salomoni kërkon urtinë 17 Duke i përbluar këto mendime në vete dhe duke përkujtuar në zemrën time se pavdekësia është afër me urtinë, 18 në miqësinë e saj gëzim i pastër, në duart e punës së saj pasuri e pashtershme, në grindje bisede me të mençuria, zë i mirë në shkëmbim bisedimi me të, vend s’lashë pa kërkuar për ta marrë atë. 19 Isha djalosh me natyrë bujare e pata fat ta kisha shpirtin e mirë, 20 madje, pasi isha i mirë, kisha hyrë në trup të pandotur, 21 dhe, duke e ditur se ndryshe s’do ta kisha fituar vetëm nëse do të ma dhuronte Hyji - e mençuri ishte vetë kjo gjë të dija se dhuratë e kujt është u solla kah Zoti dhe iu luta dhe me gjithë shpirt i thashë: Lutja për të fituar urtinë 9 1 “O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin, 2 që njeriun e krijove me anë të urtisë sate për të sunduar krijesat që ti i përftove, 3 për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë: 4 ma jep urtinë që rri në fron pranë teje dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu, 5 sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate, njeri i vogël e jetëshkurtër, i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj. 6 Sepse, edhe po t’u gjente ndër bijtë e njerëzve ndokush i përsosur, por, në qoftë se i mungon urtia jote, do të vlerësohej për asgjë. 7 Ti më zgjodhe mbret për popullin tënd dhe gjykatës të bijve e të bijave të tua; 8 më urdhërove ta ndërtoj tempullin në malin tënd të shenjtë e lterin në qytetin e banimit tënd, në imitimin e Tendës së shenjtë që e përgatite prej fillimit. 9 Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin, dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua. 10 Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, çoje prej selisë së madhërisë sate, që të jetë me mua e të mundohet krah për krah me mua, që të di çka është e pëlqyeshme para teje. 11 Sepse ajo di dhe gjithçka kupton, të më përcjellë me maturi në veprat e mia e të më mbrojë me lavdinë e vet. 12 Kështu veprat e mia do të jenë të pëlqyeshme, do ta gjykoj popullin tënd me drejtësi dhe do të jem i denjë për fronin e tim eti. 13 E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit? Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? 14 Frigacake janë mendimet e të vdekshmëve dhe të dyshimta parashikimet tona: 15 sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse. 16 Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore madje edhe gjërat që i kemi në dorë mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtojë gjërat qiellore? 17 E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë? 18 Vetëm kështu u bënë të drejta shtigjet e atyre që janë në tokë dhe vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar”. III. URTIA VEPRON NË HISTORI Prej Adamit deri te Moisiu 10 1 Kjo e ruajti babain e botës, qenien e parë të formuar nga Hyji, kur qe krijuar vetëm dhe qe kjo që e liroi nga gabimi i tij 2 e i dha fuqinë të zotërojë gjithësinë. 3 Por kur, në hidhërimin e vet, një mëkatar u largua nga ajo, sharroi për shkak të zemërimit vëllavrasës. 4 E kur, për shkak të tij, toka qe përmbytur, përsëri e shëroi urtia duke e drejtuar të drejtin nëpër ujëra në një dru të pavlerë. 5 Por, edhe në atë kohë kur me përkim të së keqes kombet mbarë u pështjelluan, qe ajo që e njohi të drejtin dhe e ruajti të patëmetë para Hyjit dhe e mbajti më të fortë se dashurinë e të birit. 6 Qe kjo që e shpëtoi të drejtin që po ikte nga të mbrapshtët të dënuar me vdekje ndërsa zjarri po binte në Pesëqytetësh, 7 në dëshmi të paudhërisë së të cilit toka e shkretuar ende tymon; pemët japin fruta që kurrë nuk piqen e për të përkujtuar kujtimin e një shpirti të pabesë, qëndron në këmbë shtylla kripore. 8 Sepse, pasi iu shmangën udhës së urtisë, jo vetëm se gabuan pse s’i njohën të mirat, por ata u lanë të gjallëve kujtimin e marrisë së vet, që gabimet e tyre të mos mund të mbesin të fshehta. 9 Kurse urtia, ata që e duan, i ka çliruar nga provat. 10 Qe kjo që e udhëhoqi të drejtin shtigjeve të drejta kur iku për shkak të zemërimit të vëllait dhe ia tregoi mbretërinë e Hyjit e ia dhuroi dijen gjërave të shenjta; ia dha të mbarën në mundin e tij të rëndë dhe i shumoi frytet e punës së tij. 11 Iu gjet në ndihmë kundër dëshirimit të shfrytëzuesve dhe e bëri të pasur. 12 E ruajti prej armiqve dhe e mbrojti prej atyre që i vunë pritë; i dhuroi fitoren në një luftim të fortë, që ta kuptonte se përkushtia është më e fortë se çdo gjë. 13 Kjo s’e braktisi të drejtin e shitur, por e ruajti nga mëkati; 14 bashkë me të zbriti në burg e nuk e lëshoi dore as ndër pranga deri sa nuk ia solli skeptrin mbretëror dhe pushtetin mbi ata që e ndrydhnin, i qiti gënjeshtarë ata që iu shpifën dhe ia dhuroi lavdinë e përhershme. Dalja 15 Urtia e liroi popullin e shenjtë, farën e patëmetë, prej popujve që atë e ndrydhnin. 16 Ajo hyri në shpirtin e shërbëtorit të Hyjit e, në saje të mrekullive e të shenjave, u bëri ballë mbretërve të tmerrshëm. 17 Shenjtërve ua dha shpagimin e mundimeve të tyre, u priu një shtegu të mrekullueshëm, ditën u bë për ta mbulesë freskimi e natën dritë ndriçuese yjesh. 18 I kaloi nëpër Detin e Kuq duke i kaluar nëpër ujëra të shumta; 19 kurse armiqtë e tyre i mbyti në ujë e pastaj i volli në breg nga thellësia e humnerës. 20 Kështu të drejtët i plaçkitën të patenzonët dhe i kënduan lavde, o Zot, Emrit tënd të shenjtë, e të gjithë një zëri lavdëruan dorën tënde ngadhënjyese, 21 sepse urtia e çeli gojën e memecëve dhe e pajisi me zhdërvjelltësi gjuhën e foshnjave. 11 1 Ajo bëri të ecë mbarë çdo ndërmarrje e tyre me anë të një profeti të shenjtë. 2 Udhëtuan nëpër shkretëtirë të pabanuar, ngulën çadrat e tyre në vende të papërshkueshme. 3 U bënë ballë kundërshtarëve të vet dhe u hakmorën kundër armiqve të vet. Mrekullia e ujit. Antiteza e parë Kur patën etje, t’u lutën dhe u qe dhuruar uji nga qeta tejet e lartë dhe ua shove etjen nga shkëmbi i fortë. 5 Kështu ajo që për armiq ishte ndëshkim, në nevojën e tyre u kthye për ta në mirësi. 6 Në vend të rrjedhës së një lumi të përhershëm, të kthyer në gjak të qelbët, 7 si ndëshkim të një urdhri fëmijëvrasësish, u dhe papritmas ujë të begatshëm, 8 duke dëftuar me anë të etjes së atëhershme se si i kishe ndëshkuar kundërshtarët e tyre. 9 Sepse, të vënë në sprovë, megjithëse të ndëshkuar me mëshirë, kuptuan se ç’vuajtje kishin sprovuar keqbërësit të ndëshkuar me zemërim. 10 Këta vetëm, sikur babai që qorton, i vure në provë, ndërsa ata porsi mbreti i rreptë, i dënove me vuajtje dhe i gjykove. 11 Sepse, si larg si afër vuanin; 4 12 dhe trishim i dyfishtë i pushtonte dënesnin kur kujtonin të kaluarën. 13 Kur dëgjuan se çka ishte vuajtje për ta që dilte për të mirën e izraelitëve e hetuan dorën e Zotit. 14 E njëmend atij që e kishin braktisur dikur dhe e kishin përbuzur me përqeshje, kur panë si shkoi fundi, iu mrekullonin, pasi sprovuan një etje krejt të ndryshme nga ajo e të drejtëve. Maturia hyjnore ndaj egjiptianëve 15 Ti, për mendimet e çmendura të paudhësisë së tyre që i bënë të gabojnë dhe adhuruan gjarpërinj të pamend e kafshë më se të pavlera, për ndëshkim u dërgove një shumicë kafshësh memece, 16 që ta dinë se kush me çka mëkaton, me të edhe do të ndëshkohet. 17 Me siguri nuk ishte e pamundshme për dorën tënde të gjithpushtetshme - që krijoi rruzullin nga lënda e patrajtë t’u çonte arinj të panumërt e luanë të hidhur 18 ose edhe kafshë të egra të panjohura, ndërgut të krijuara, plot zemërim, që prej hundëve u buçet flaka ose lëshojnë tym qelbësues ose nga sytë përhapin shkëndija të tmerrshme, 19 të afta jo vetëm që duke i ngrënë t’i zhduknin, por edhe vetëm pamja prej frikës do t’i mbytte. 20 Por edhe pa të gjitha këto mund të sharronin vetëm me një frymë, të ndëshkuar prej drejtësisë sate të flakur nga fryma e fuqisë sate. Por ti rregullove gjithçka me masë, numër e peshë. Arsyet e kësaj maturie 21 E pasi fuqinë tënde të madhe e ke gjithmonë në shërbim, fuqisë së krahut tënd kush mund t’i bëjë ballë? 22 Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. 23 Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën sikur s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen. 24 Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë gjë, nuk e kishe krijuar. 25 E si do të mbetet në jetë ndonjë gjë, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti në jetë? 26 Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës, 12 1 sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka. 2 Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot. Maturia e Hyjit në ndëshkim të Kanaanit 3 Ti i kishe bezdi banorët e mëparshëm të tokës sate të shenjtë, 4 sepse bënin vepra të urryeshme, vepra shortie e fli të patenzona; 5 sepse ishin vrastarë të pamëshirshëm të fëmijëve, hanin rropullitë në gostitë e mishit e të gjakut të njeriut, merrnin pjesë në mistere zderhalljesh, 6 ishin prindër vrastarë të qenieve pa mbrojtje, vendose t’i asgjësosh me dorën e baballarëve tanë, 7 që më e dashura toka jote të fitonte një ngulim të denjë të bijve të Hyjit. 8 Por edhe ata, i kurseve sepse ishin njerëz, dhe u dërgove, para ushtrisë sate, anëzat pararëndëse për t’i shuar ata dalngadalë. 9 Jo pse të ishte e pamundur t’i dorëzoje të paudhët në dorë të të drejtëve me luftim, ose t’i asgjësoje me anë të kafshëve të egra ose edhe me një urdhër të ashpër papritmas, 10 por, duke i ndëshkuar ngadalë, i dhuroje vend pendesës, megjithëse e dije se ishin farë e keqe dhe prapësinë e kishin në natyrë e kurrë s’do të ndërrohej mendesia e tyre: 11 farë e mallkuar ishin që në fillim. Arsyet e kësaj maturie E kjo s’ngjau se kishe frikë prej ndokujt që nuk i ndëshkoje mëkatet e tyre; 12 sepse kush do të guxojë të të thotë: “Çfarë bëre?” Ose kush e përballon gjyqin tënd? Ose të të fajësojë pse i shfarose popujt që ti vetë i ke krijuar? Ose kush do të ngritet kundër teje si hakmarrës ndaj njerëzve keqbërës? 13 Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. 14 Asnjë mbret as sundimtar s’mund të përballojë ty për t’i mbrojtur ata që ti i ndëshkon. 15 Por, pasi je i drejtë, gjithçka rregullon drejt, e çmon të padenjë për pushtetin tënd të dënosh atë që s’meriton të ndëshkohet. 16 E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. 17 Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. 18 Ti, ngaqë je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Mësime hyjnore për Izraelin 19 Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. 20 E njëmend, kur me aq maturi e butësi i ke ndëshkuar armiqtë e shërbëtorëve të tu, - njerëz të dënuar me vdekje duke u dhuruar kohë e rast që të kthehen prej paudhësisë, 21 e me sa kujdes atëherë i ke ndrequr bijtë e tu, prindërve të cilëve me përbetim e besëlidhje u ke dhënë premtime të mrekullueshme! 22 Kështu, pra, ndërsa ne na mëson, armiqtë tanë i frushkullon në mënyrat më të ndryshme që të na bjerë ndër mend mirësia jote kur ne gjykojmë e të shpresojmë në mëshirë kur ne të na gjykojnë. Përsëri për egjiptianët. Ndëshkimi i tyre në rritje 23 Këndej edhe ata që jetuan padenjësisht me marrina të jetës i mundove me turpësitë e tyre. 24 Sepse ata kishin shkuar larg në udhën e gabuar sa që i mbanin për hyj kafshët më të ulta e më të urryera, të çmendur në mënyrë të foshnjave të paarsyeshme. 25 Kështu porsi foshnjave të paarsyeshme ua ke dërguar një ndëshkim përqeshës. 26 E ata, që një qortim përqeshës nuk i përmirësoi, sprovuan ndëshkimin e denjë të Hyjit. 27 Të zemëruar ndaj kafshëve që u sillnin mundime e, duke parë se po ndëshkoheshin me anë të shtazëve që vetë i mbanin për zota, panë qartë dhe e pranuan për Hyj të vërtetë, atë që më parë s’ishin dashur ta njohin. Prandaj edhe dënimi më i rëndë ra mbi ta. Ecja drejt idhujtarisë. Hyjnizimi i natyrës 13 1 Vërtet të pakuptim prej natyre ishin të gjithë ata njerëz që nuk e njohën Hyjin, ata që prej të mirave që shihen nuk ia dolën ta kuptojnë Atë që është, që, duke i parë veprat, nuk e njohën mjeshtrin. 2 Por, o zjarrin, o erën, o ajrin e hollë, o kupën qiellore ose ujin e rrëmbyeshëm, ose dritëdhënësit e qiellit i mbajtën për zotë, zotërues të botës. 3 Nëse, të mahnitur nga bukuria e tyre, i kanë mbajtur për hyjni, duhet ta dinë se sa më i mirë nga ato është Zotëruesi i tyre: sepse, i krijoi Ai që është, zanafilla dhe Autori i vetë bukurisë. 4 Nëse i ka habitur fuqia dhe veprimtaria e tyre, duhet ta kuptojnë se sa më i fortë se ato është Ai që i krijoi ato: 5 sepse prej madhërisë dhe bukurisë së krijesave mund të njihet me krahasim Krijuesi i tyre. 6 Por të tillët s’meritojnë vetëm një qortim të lehtë, sepse këta ndoshta gabojnë në mënyrë duke kërkuar Hyjin se dëshirojnë ta gjejnë: 7 duke jetuar në mes të veprave të tija mundohen t’i depërtojnë, i besojnë pamjes së jashtme pasi gjërat që shohin janë të bukura. 8 Porse mjerisht as këta s’mund të arsyetohen: 9 nëse qenë të aftë të kenë aq dijeni sa që të shqyrtojnë gjithësinë, si vallë s’e patën më lehtë ta zbulojnë Krijuesin e të gjithave? Nderimi i idhujve 10 Por të mjerë janë ata - dhe shpresojnë në gjëra të vdekura që i mbajnë për zotë veprat e duarve të njerëzve, ar, argjend të punuar me mjeshtri, figura kafshësh, gurë të pavlerë, të gdhendur me dorë mjeshtërore. 11 Ose, një zdrukthëtar e pret në pyll një dru të përshtatshëm, me kujdes ia heq gjithë lëkurën, me mjeshtrinë e vet që ka, e punon një enë për përdorim të përditshëm. 12 Pastaj, ashklat që i teprojnë i përdor për të bërë gati ushqimin, me të cilin ushqehet. 13 Nëse i tepron ndonjë copë që s’vlen për ta përdorur, një dru i shtrembër dhe me nyje: e merr e, për të kaluar kohën, e gdhend pa kujdes, në kohë të lirë, i jep një trajtë - i jep trajtën e njeriut 14 ose të ndonjë kafshe të pavlerë, e lyen me deltinë, ia ngjyros kuq sipërfaqen, ia mbulon çdo njollë, 15 ia punon një banesë të denjë, e vë në mur duke e varur në gozhdë. 16 Kujdeset kështu për të që të mos bjerë, meqenëse e di se s’është në gjendje t’i ndihmojë vetvetes, është vetëm figurë e ka nevojë t’i ndihmohet. 17 Megjithëkëtë, kur lutet për pasuri, martesë e fëmijë nuk skuqet të bisedojë me të, që është e pajetë, i lutet të sëmurit për shëndet, 18 për jetë i lutet të vdekurit, për ndihmë e thërret vetë pamundësinë e për udhë të mbarë atë që as të ecë s’mundet, 19 dhe, për të fituar e për të vepruar e për t’i shkuar mbarë puna e duarve të veta, kërkon shkathtësi prej atij që është krejtësisht i ngathët! 14 1 Një tjetër, pastaj, përgatitet për të lundruar me qëllim që t’i përballojë valët e tërbuara, i lutet një druri më të ligshtë se druri që e mbart. 2 Atë e sajoi dëshira e fitimit dhe e punoi dija e mjeshtrit, 3 por atë e drejton Provania jote, o Atë, që ke dhuruar udhën nëpër det, shteg të sigurt edhe nëpër valë, 4 duke dëftuar se mund ta shpëtosh nga çdo rrezik edhe nëse pa mjeshtri të duhur ndokush hyn në det. 5 Sepse ti do që veprat e urtisë sate të mos jenë të pafryt, këndej njerëzit edhe drurit më të pavlershëm ia besojnë jetën e vet e, duke kaluar përmbi valë me lundër, ia dalin të shpëtojnë. 6 Po, dhe dikur, kur u mbytën viganë krenarë, shpresa e njerëzimit, e strehuar në një barkë, ia la kësaj bote farën e breznive të reja, për hir të dorës sate që e drejtoi. 7 Vërtet është i bekuar druri, me anë të të cilit vjen drejtësia, 8 por qoftë mallkuar idhulli, i bërë nga dora e njeriut: ai dhe mjeshtri që e punoi: mjeshtri pse e punoi dhe idhulli që, i rrejshëm, quhet zot! 9 Vërtet Hyji i ka bezdi keqbërësin dhe frytin e paudhërisë së tij: 10 vepra dhe mjeshtri barabartë do të ndëshkohen. 11 Kështu, do të ndëshkohen edhe idhujt e paganëve, sepse u bënë, mes krijesash të Hyjit, turpësi, burim shkandulli për shpirtrat e njerëzve e kurth për këmbët e të pamendve. Prejardhja e nderimit të idhujve 12 Shpikja e idhujve ka qenë fillimi i fëlligështisë dhe zbulimi i tyre solli prishjen e jetës. 13 Nuk kanë qenë në fillim as nuk do të jenë përgjithmonë. 14 Erdhën në botë prej kotësisë njerëzore, Prandaj edhe zhdukjen e kanë të caktuar. 15 Një babë, i përvëluar nga dhimbja e vdekjes së djalit, të rrëmbyer para kohe, ia punoi figurën, dhe atë, që tani ishte njeri i vdekur, Tani filloi ta nderojë si hyj dhe të nënshtruarve u urdhëroi t’i kushtojnë mistere e fli. 16 Pastaj, gjatë kohës, zakoni i patenzonë, erdhi e u bë ligj dhe, me urdhër të sunduesve, figurat e gdhendura filluan të nderohen. 17 Edhe ata që njerëzit s’mund t’i nderonin personalisht sepse banonin larg, për ta bërë të pranishme figurën e tyre, e punuan fytyrën e mbretit që donin të të nderonin që të papranishmin ta përkëdhelnin me zell sikurse të ishte i pranishëm. 18 Të shtrihej nderimi edhe tek ata që nuk e njihnin, ndihmoi edhe ambicia e vetë artistëve: 19 sepse, i shtyrë patjetër për t’i pëlqyer sunduesit, bëri çmosin me mjeshtrinë e vet që figura të dilte sa më e bukur, 20 kështu që njerëzit, e ngazellyer nga bukuria e veprës, atë, që pak më parë nderohej vetëm si njeri, tani filluan ta mbajnë për hyjni. 21 Kështu jeta njerëzore lejoi të zihet në kurth, sepse njerëzit, fli të fatkeqësisë ose të tiranisë, ia dhanë Emrin e Hyjit gurit e drurit. Rrjedhojat e nderimit idhujtar 22 Pastaj nuk u mjaftoi gabimi në njohjen e Hyjit, por, duke jetuar në një luftë të madhe të padijes, të këqijat kaq shumë e kaq të mëdha i quajnë paqe. 23 Sepse, ose flijojnë fëmijët ose kryejnë mistere të fshehta ose gosti zdërhalljesh ritesh të huaja; 24 s’i ruajnë më të pastërta as jetën as martesën, por njëri-tjetrin e vret me tradhti ose e mundon duke shkelur kurorën. 25 Gjithçka u pështjellua: gjak e vrasje, vjedhje e gënjim, prishje, pabesënikëri, kryengritje e be të rreme, 26 trazim të të mirëve, paevari, përdhunim shpirtrash, mëkate kundër natyrës, shrregullim martese, kurvëri e fëlligështi. 27 Sepse idhujtaria është fillimi, shkaku dhe fundi i çdo të keqeje. 28 Ose luajnë deri në çmendje duke u zderhallur ose parakallëzojnë profeci të rreme ose jetojnë me padrejtësi ose lehtë përbetohen në gënjeshtër. 29 Pasi e vënë shpresën e vet në idhuj të vdekur, s’presin dënim që janë përbetuar rrejshëm. 30 Por për të dyja do t’u takojë ndëshkimi: pse, duke u shërbyer idhujve, e shtrembëruan njohjen e Hyjit, e pse u përbetuan shtrembët dijekeqas duke përbuzur gjithçka është e shenjtë. 31 Sepse jo prej pushtetit të atyre që thirren në dëshmi, por, prej ndëshkimit të ruajtur për mëkatarët, që gjithherë e godit paudhësinë e të padrejtëve. Izraeli nuk është idhujtar 15 1 Por ti, Hyji ynë, je i butë e besnik, i durueshëm dhe gjithçka drejton me mëshirë. 2 Po edhe nëse mëkatojmë, të tutë jemi dhe e pranojmë pushtetin tënd, e më s’do të mëkatojmë sepse e dimë se vetëm ty të përkasim. 3 Njohja jote, njëmend, është drejtësi e përsosur, të pranuarit e pushtetit tënd është rrënjë e pavdekësisë. 4 Nuk na çoi në gabim as shpikja e artit të mbrapshtë njerëzor, as vepra e pafryt e piktorëve, piktura të njollosura me ngjyra të ndryshme, 5 pamja e të cilave në të marrë zgjojnë afshin dhe i bën të dëshirojnë trajtën e vdekur të pikturës që s’ka shpirt. 6 Dashurues të së keqes, të denjë për shpresa të tilla janë ata që i punojnë, ata që i duan e që i nderojnë. Marrëzia e prodhuesve të idhujve 7 Vorbëtari, duke e ngjeshur baltën e hollë me mund, punon enë të ndryshme për përdorimin tonë. Nga e njëjta baltë punon enë që shërbejnë për përdorim bujar e për përdorim të kundërt, të gjitha njësoj: cila prej këtyre enëve për ç’përdorim do të jetë, e cakton vorbëtari. 8 Pastaj, duke iu kushtuar një mundi të keq, po prej balte e punon Hyjin ai, që pak më përpara kishte qenë trajtuar nga balta dhe që me shpejt do të kthehet në dhe nga edhe u mor, posa prej tij shpirti të kërkohet. 9 Ndër mend s’i bie se i duhet të vdesë as që është jetëshkurtër, por hyn në garë me arpunues e argjendarë, mundohet t’u përngjajë bronzpunuesve dhe mburret se punon gjëra të rreme. 10 Zemrën pluhur e ka, më e përbuzshme se dheu shpresa e tij, më e pavlerë se balta jeta e tij, 11 sepse nuk e njohu Krijuesin e vet, atë që ia dha shpirtin veprues, që ia fryu shpirtin jetëdhënës. 12 Madje ai e çmon jetën tonë lojë fëmijësh, jetën tonë tregti plot fitesë. “Duhet - thotë ai - nga gjithkah të nxirret përfitim edhe prej së keqes.” 13 E pra, ky, më mirë se të gjithë të tjerët, di se mëkaton pse prej baltës së tokës punon e enë të thyeshme e shtatore idhujsh. Marrëzia e egjiptianëve: idhujtaria e tyre e gjithëmbarshme 14 Vërtet, janë krejtësisht të marrë dhe më të mjerë se shpirti i kërthirit armiqtë e popullit tënd që me dhunë e ndrydhin. 15 Sepse i mbajnë për hyjni të gjithë idhujt e paganëve, të cilët nuk e kanë as përdorimin e syve për të parë, as hundët për të marrë frymë, as veshët për të dëgjuar, as gishtat e duarve për të prekur me ta edhe këmbët e tyre janë të paafta për të ecur. 16 Sepse njeriu i bëri, i gdhendi ai, të cilit jeta hua i qe dhënë. Asnjë njeri nuk mund ta punojë hyjin të ngjashëm me vetveten, 17 dhe, meqenëse është vetë i vdekshëm, vepër të vdekshme punon me duar mëkatare. Ai vetë është më i mirë se gjërat që adhuron, sepse ai është i gjallë e ato janë të vdekura. 18 Por ata adhurojnë edhe kafshët më të mjera që, të krahasuara për kah marrëzia, janë edhe më të këqija se të tjerat. 19 Madje ndër to s’gjenden as të bukura që të mund t’i pëlqejnë syrit siç mund të ndodhë me kafshë të tjera: iu përvodhën dhe lavdit të Hyjit dhe bekimit të tij. Antiteza e dytë: bretkosat 16 1 Për këtë arsye me të drejtë qenë të ndëshkuar me të tilla kafshë, të munduar prej gjallesash të nduarnduarshme të shumta. 2 Ndërkaq popullin tënd, në vend të ndëshkimit të tillë, e kënaqe me një mijë të mirat e, për t’ia plotësuar shijen e tij të flaktë, ia bëre gati shujtën e shijshme, shkurtat. 3 Kështu egjiptianët, me të parë të neveritur nga kafshët që ua dërgove, megjithëse dëshironin të hanë, u humbi edhe dëshira e hajes së natyrshme; ndërsa popullit tënd, pas një skamjeje të shkurtër, i dhurove ushqim të shijshëm. 4 Sepse duhej që mbi egjiptianët ndrydhës tmerrshëm të rëndonte shfarosja, kurse këtyre, të tuve, vetëm t’u dëftohej se si armiqtë e tyre shfarosen. Antiteza e tretë: karkalecat e gjarpri i bronztë 5 E njëmend, kur mbi ta u sul zemërimi i kafshëve dhe i mbytte kafshimi i gjarpërinjve të helmuar, zemërimi yt nuk vazhdoi deri në mbarim, 6 por qenë munduar për pak kohë që të ndreqeshin, sepse fituan shenjën e shpëtimit për t’u përkujtuar urdhërimet e Ligjit. 7 Sepse, secili që në të ngulte shikimin, shërohej, por jo pse në të shikonte, por e shëroje ti, Shëlbuesi i të gjithëve. 8 Edhe me këtë u dëftove armiqve tanë se ti je ai që shpëton nga çdo e keqe, 9 vdiqnin egjiptianët të ngrënë nga karkalecat e mizat, s’gjendej shpëtim për jetën e tyre, sepse e kishin merituar të shfaroseshin prej të tillave, 10 kurse bijve të tu s’patën ç’t’u bëjnë as dhëmbët e gjarpërinjve të helmuar: sepse mëshira jote u vinte në ndihmë dhe i shëronte. 11 Me qëllim që të mos i harronin fjalët e tua i thirrje dhe me shpejtsi i shëroje që të mos binin në harresë të thellë e të mos përjashtoheshin nga bamirësia jote. 12 E s’kishte ilaç as barna që i shëronin, por fjala jote, o Zot, që shëron çdo gjë. 13 Sepse ti ke pushtet mbi jetën e mbi vdekjen, i shpie në grykë të varrit e prej andej i nxjerr. 14 Njeriu njëmend, në saje të keqbërësisë së vet, mund ta sjellë vdekjen, por shpirtin që të ketë dalë, më s’mund ta kthejë, as që mund ta çlirojë shpirtin që u shtie në Nëndhe. Antiteza e katërt: breshri dhe mana S’është e mundur t’i iket dorës sate: bakëqijtë që s’donin të pranojnë qenë ndëshkuar nga krahu yt i fortë, i goditën shira të mëdha, breshër e stuhi dhe i përpiu zjarri! 17 Dhe ajo që bënte për t’u habitur shumë, në ujë që fik gjithçka, zjarri bëhej gjithnjë e më i fortë: vetë rruzulli i shpagoi të drejtët. 18 Nga një herë flakët zbuteshin për të mos i djegur kafshët e dërguara kundër të patenzonëve por që të shihnin e ta kuptonin se i godit gjyqi i Hyjit, 19 një herë tjetër madje edhe në mes të ujit, zjarri digjte përtej fuqisë së vet për t’i zhdukur frytet e tokës së prishur. 20 Kurse popullin tënd e ke ushqyer me shujtë engjëjsh, ia ke dërguar nga qielli bukën e bërë gati, që kishte në vete çdo ëmbëlsirë 15 16 të aftë të kënaqë secilën shije. 21 Shujta që ti u dhuroje dëshmonte dashurinë tënde ndaj fëmijëve të tu, sepse, duke iu përshtatur shijes së atij që e hante, shndërrohej në ushqim që secili e dëshironte. 22 Borë e akull e duronin zjarrin e nuk shkriheshin, që të dihej se frytet e armiqve i shkretonte zjarri flakërues që digjte mes shiut e breshrit, 23 e ndërkaq përsëri zjarri harronte fuqinë e vet që të kishin me se të ushqehen të drejtët. 24 Sepse krijesa që të nënshtrohet ty, Krijuesit të vet, bëhet gjithnjë e më e fortë për ndëshkimin e keqbërësve, ndërsa vjen e zbutet për t’u bërë mirë atyre që shpresën e kanë vënë në ty. 25 Kështu edhe në atë kohë, në fuqi të një shndërrimi në vetvete, ajo bëhej shërbëtore e bujarisë sate që ushqen gjithçka, dhe i përshtatej dëshirës së atyre që kishin nevojën tënde. 26 Kështu, o Zot, bijtë e tu që i doje, po mësonin se nuk janë llojet e ndryshme të fryteve që e ushqejnë njeriun, por fjala jote është ajo që i ruan ata që besojnë në ty, 27 e pra, atë që zjarri s’mundi ta shkrijë, e shkriu një rreze e vogël e diellit menjëherë, 28 që të dihej se duhet të ngrihemi para diellit për të falënderuar e për të adhuruar me të dalë të dritës. 29 Sepse shpresa e mosmirënjohësit shkrihet porsi akulli i dimrit e tretet porsi uji i pavlerë. Antiteza e pestë: errësira e shtylla e zjarrit 17 1 Të madhërueshme janë gjyqet e tua e të patregueshme, këndej enden shpirtrat që s’duan të mësohen. 2 Ndërsa të paudhët ishin të bindur se do të mund ta mbizotërojnë popullin e shenjtë, u bënë skllevër të errësirës në prangat e natës së gjatë, të kyçur nën pullazet e veta, mbetën të përjashtuar nga provania e amshueshme. 3 Kujtonin se mëkatet e fshehta të fshehura do t’u mbetnin, të mbuluara me mbulesë të errët të harresës; qenë shpërndarë, të goditur nga frika e tmerrshme, të tmerruar nga hijet që dukeshin. 4 Po as shpellat ku strukeshin, pa frikë s’i linin, por ushtonin zëra të frikshëm rreth tyre dhe dukeshin hije të zeza me fytyrë të tmerrshme. 5 S’kishte zjarr, sado i fortë, që t’u bënte dritë, as dritëdhënësit qiellorë të ndritshëm s’mund ta ndritnin atë natë të përfrigueshme. 6 Por u dukej vetëm një grumbull zjarri që ndizej vetë, e, i përfrigueshëm plot tmerr, dhe, kur kjo pamje u zhdukej, u dukeshin edhe më të këqija se ç’i shihnin. 7 Mjeshtritë e shortarëve s’u sollën asnjë fuqi, dhe dija krenare e tyre ra poshtë me turp. 8 Sepse, edhe ata që zotoheshin se do ta zhduknin frikën e ngushticën nga shpirti i vuajtur, vetë sëmureshin nga frika qesharake. 9 Po edhe nëse asgjë e frikshme s’i trembte, të frikësuar nga kalimi i egërsirave e krisma e gjarpërinjve, vdisnin nga frika, sa që s’guxonin të shihnin as ajrin, të cilit askush s’ka se si t’i ikë. 10 Paudhësia vetë e dëshmon frikën e vet, sepse është e dënuar; gjithmonë shkon duke e shtuar të keqen kur ndërgjegjja nuk e lë të qetë. 11 E njëmend, frika s’është gjë tjetër, por tradhti e mjeteve ndihmëse që arsyeja i jep 12 e, në brendi sa më pak, ajo pret ndihmë prej tyre, aq më e rëndë i duket atij që s’e kupton shkakun e vuajtjes së vet. 13 E kështu atyre, atë natë vërtet të padurueshme, të dalë nga thellësia e Nëntokës së pafuqishme, fjetur në të njëjtin gjumë, 14 tani u dukeshin hije përbindshash, tani ata mekeshin pse i lëshonte zemra: pabeh e papritmas i pushtonte frika. 15 Kështu secili, duke rënë ku ndodhej, mbetej i kyçur në burg të paderë e pashula. 16 Si në pastë qenë fshatar ose blegtor, si edhe bujk i ngarkuar me punë fushe, ranë në vështirësi të pashmangshme: të gjithë ishin të lidhur me një varg të vetëm të territ. 17 E era shushuritëse, edhe i këndshmi zë cicërues i zogjve në dega me gjethe të lëndëve e zhurma e ujit që rrjedh me vrull ose rropama e rëndë e qetave që shkëputen 18 ose vrapimi i egërsirave që kërcejnë, ose ulurima e bishave të egra shurdhuese ose jehona bredhëse e shpellave të maleve shtang i ngrinte prej frikës. 19 Sepse mbarë rruzulli ndriçonte nga një dritë e shkëlqyer e gjithkush i kushtohej punës së vet pa pengime. 20 Vetëm mbi ta ishte shtrirë nata e thellimit, hija e errësirës e caktuar për t’i marrë: vetë ishin për vetveten më të rëndë se terri. 18 1 Kurse shenjtërve të tu u ndriçonte dritë e madhe, dhe egjiptianët, zërin ua dëgjonin, por fytyrën s’ua shihnin, të lumtur i shpallnin pse s’vuanin si ata, 2 u ishin mirënjohës që nuk hakmerreshin megjithëse më parë kishin qenë përndjekur dhe luteshin t’i falnin për qëndrimin e tyre armiqësor. 3 Kurse izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panjohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. 4 Ishin njëmend të denjë të mos kishin dritë e të vuanin në burgun e errësirës ata, që mbanin të burgosur bijtë e tu nëpërmjet të të cilëve fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit. Antiteza e gjashtë: natë tragjedie e lirie Pasi kishin vendosur t’i mbysin foshnjat e shenjtërve, e prej foshnjave të gjuajtura vetëm një kishte shpëtuar, ti, për t’i ndëshkuar, u more shumë fëmijë, dhe të gjithë së bashku i mbyte në ujë të tërbuar. 6 Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. 7 Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, 8 sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove ne duke na thirrur pranë teje. 9 Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehurazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë njëlloj si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. 10 Jehonte atëherë britma e përzier e armiqve e përhapej gjëma e vajtimit të atyre që qanin fëmijët. 11 Po i njëjti ndëshkim i takoi 5 skllavit e zotërisë, pësoi njëlloj vegjëlia dhe mbreti, 12 të gjithë të goditur njëherësh nga vdekja, të vdekurit ishin të panumërt. Tepër pak ishin të gjallët për t’i varrosur të vdekurit: sepse në një çast u vdiq bami më bujar. 13 Edhe ata që, për shkak të shortive të veta, nuk besonin asgjë, kur u vdiqën të parëlindurit, dëshmuan se populli i Izraelit është biri i Hyjit. 14 Ndërkohë mbretëronte një paqe e qetë në gjithçka, dhe nata me rrjedhën e vet të shpejtë kishte arritur në gjysmën e udhës, 15 fjala jote e gjithëpushtetshme, nga qielli nga froni mbretëror, porsi luftëtari i ashpër u sul mes tokës së caktuar për shkatërrim, duke sjellë, si shpatë të mprehtë, urdhrin tënd të pandërrueshëm. 16 U ndal dhe me vdekje e mbushi gjithësinë: këmbët mbi tokë e prekte qiellin. 17 Egjiptianëve atëherë, papritmas, ua çoi ngusht pamja e ëndrrave të tmerrshme dhe i pushtoi një tmerr i papritur 18 e kush këtu, kush atje, binin gjysmë të vdekur e dëftonin se për ç’arsye vdisnin. 19 Ëndrrat tmerruese i kishin paralajmëruar që nuk do të vdisnin pa e ditur për ç’arsye i pësonin ngjarjet e tilla. Kërcënimi i shfarosjes në shkretëtirë 20 Por prova e vdekjes i goditi edhe të drejtët dhe në shkretëtirë vdiqën me shumicë, por nuk zgjati zemërimi yt. 21 Sepse një njeri i patëmetë shpejtoi t’i mbrojë, i mori armët e shërbesës së vet: lutjen dhe flinë shpërblyese të kemit, i doli para hidhërimit e i dha fund vështirësisë duke e dëftuar se ishte shërbëtori yt. 22 E mundi zemërimin jo me fuqinë e trupit, as me forcën e armëve, por me fjalë e nënshtroi atë që vriste duke ia përkujtuar përbetimin e të parëve e besëlidhjen. 23 Të vdekurit tashmë shtriheshin stom njëri mbi tjetrin dhe ai qëndroi mes tyre, e ndërpreu sulmin dhe e preu rrugën që shpiente te të gjallët. 24 Sepse në petkun deri në thembra ishte mbarë rruzulli, dhe në katër rreshtat e margaritarëve emrat e lavdishëm të të parëve, ndërsa në kezën e tij rreth kokës Lartëmadhëria jote! 25 Kur i pa këto, Shfaruesi zuri vend, u tremb: i doli mjaft, veç sa e kërkoi zemërimin! Antiteza e shtatë: Deti i Kuq 19 1 Por mbi të paudhët ra deri në fund zemërimi i pa farë mëshire, sepse Hyji e dinte se çfarë do të bënin ata 2 se, pasi t’ua kishin lejuar të nisen e madje, pasi t’i kishin nxituar të shkojnë, do të pendoheshin e do t’i ndjeknin pas. 3 E njëmend, ndërsa ende ishin të nxënë duke vajtuar e vajtonin te varret e të vdekurve, morën një vendim tjetër të marrë dhe i ndoqën si të ikur, ata që u ishin lutur të largohen. 4 Një fat i drejtë i shtynte në këtë hap të fundit, i bëri të harrojnë të zezat që u kishin ndodhur, që të mos mbette pa u plotësuar edhe ai ndëshkim, që s’e kishin pasur vuajtjet e deriatëhershme: 5 ndërsa populli yt të kalonte një udhëtim të mrekullueshëm, ata t’i gjente një vdekje e çuditshme. 6 Krijesat mbarë, për të dëgjuar urdhërimet e tua, edhe një herë u ritrajtuan në natyrën e vet, që bijtë e tu të ruheshin shëndosh e mirë. 7 E njëmend reja me hije e mbuloi tëbanishten e tyre, teriku u duk aty ku më parë ishte uji: u bë udhë e lirë nëpër Detin e Kuq, fushë e blertë ku më parë rrihnin valët. 8 I mbrojtur nga dora jote nëpër të kaloi mbarë populli yt, duke parë mrekulli të çuditshme. 9 Porsi mëzat pas kullotës, porsi qengjat plot gëzim të këndonin lavde, o Zot, që i shpëtove. 10 I kujtonin ende ngjarjet e mërgimit, si toka që në vend të bagëtive lindte miza e në vend të peshkut lumi nxorri mori bretkocash. 11 Më vonë panë edhe një prodhim të ri shpendësh kur, të nxitur nga dëshira, kërkuan shujta të shijshme: 12 për t’ua plotësuar dëshirën nga deti dolën për ta shkurtat. Egjipti më mëkatar se Sodoma 13 Mbi mëkatarët ranë ndëshkimet jo pa shenja përkujtuese me rrufe të fuqishme: pësonin me të drejtë sipas paudhësive të veta, sepse kishin dëftuar për të huajin urrejtje veçanërisht të egër. 14 Ndërsa ata të tjerët nuk i pranonin ardhacakët e panjohur, këta miqtë bamirës i bënë skllevër. 15 E jo vetëm kaq: do të ketë ndëshkim për të parët, sepse me armiqësi i pritën ardhacakët, 16 kurse këta, pasi me gëzim i pranuan, pastaj, kur kishin marrë pjesë në të drejtat e tyre, i ndrydhën me punë tejet të rënda. 17 Edhe këta i goditi verbësia porsi ata para derës së të drejtit; të rrethuar nga terri i thellë, secili kërkonte hyrjen e derës së vet. Një harmoni e re 18 Kështu elementet i ndërronin veçoritë anasjelltas porsi në një instrument me korda tingujt i ndërrojnë ritmet gjithmonë veç duke e ruajtur tonalitetin e vet. Po kjo gjë vërtet mund të nxirret kur shqyrtohen ngjarjet me kujdes: 19 kafshët tokësore shndërroheshin me ato të ujit, kurse ato që notojnë kalonin në tokë. 20 Zjarri në ujë u bë më i fuqishëm dhe uji e harroi veçantinë e vet fikëse. 21 Përkundrazi flakët nuk e digjnin mishin e kafshëve të dobëta, që nëpër to ecnin, as s’e shkrinin atë ushqim qiellor të ngjashëm me brymën që aq lehtë shkrihet. Përfundimi 22 Po, në të gjitha mënyrat, o Zot, e madhërove, e nderove e nuk e përbuze popullin tënd, por iu gjete në ndihmë në çdo kohë e në çdo vend.