Ezekieli: 1. Vegimi i “qerres së Zotit”

1

1 Të tridhjetin vit, të katërtit muaj, të pestën ditë të muajit, kur isha ndër të humbur në brigjet e lumit Kobar, u hapën qiejt dhe unë pata vegime hyjnore. 2 Të pestën ditë të muajit të vitit të pestë të mërgimit të Joakinit mbret, 3 fjala e Zotit i qe drejtuar priftit Ezekiel, birit të Buziut, në tokën e kaldenjve, përgjatë lumit Kobar. Aty u ul mbi të dora e Zotit.

Vegimi i “qerres së Zotit”

4 Shikova dhe, ja, një erë shtjelle po vinte nga veriu, re e madhe, zjarr i mbledhur lëmsh, që ndriçonte përreth tij e brenda tij, brenda zjarrit, shkëlqente diçka në përngjasim të qelibarit. 5 Në qendër, diçka në përngjasim të katër gjallesave; dhe, ja, pamja e tyre: kishin pamjen e njeriut! 6 Secili kishte katër faqe e katër krahë. 7 Këmbët i kishin të drejta, kurse shputat e këmbëve të tyre ishin porsi thundërzat e këmbëve të viçit e shkëlqenin porsi bronzi i skuqur flakë. 8 Kishin në të katër anët, nën krahë, duar njeriu. Kishin katër fytyra e katër krahë secili. 9 Krahët e tyre ishin të bashkuar me njëri-tjetrin. Kur ecnin, nuk ktheheshin praptazi, por secili ecte vetëm përpara.

10 Fytyrat e tyre i përngjanin fytyrës së njeriut; të katërtit, në anë të djathtë kishin edhe fytyrën e luanit, në të majtë fytyrën e kaut, e të katërt kishin fytyrën e shqiponjës.

11 Krahët e tyre ishin të shtrirë përpjetë. Secili kishte dy krahë që ndesheshin e dy që ua mbulonin trupin. 12 Secili ecte përpara vetes: ecnin në atë drejtim kah i shtynte shpirti. Kur lëviznin, ecnin vetëm në atë drejtim e nuk ktheheshin prapa.

13 Në mes të gjallesave dukej diçka si gaca të ndezura, porsi vravashka që ecnin në mes të gjallesave. Shkëlqente porsi flaka e zjarrit e nga zjarri dilte rrufeja. 14 Gjallesat shkonin e vinin në përngjasimin e vetëtimës llamburitëse. 15 Ndërsa po i shikoja gjallesat, pashë nga një rrotë mbi tokë përbri secilës gjallesë. 16 Dukja dhe përmbajtja e rrotave është në përngjasim të krisolitit dhe të gjitha ishin të ngjashme. Me trajtë e me punim dukeshin si të ishte njëra rrotë në tjetrën. 17 Mundnin të ecnin në katër drejtime pa pasur nevojë të ktheheshin ndërsa ecnin. 18 Gavejtë e rrethi i tyre kishin lartësi tmerruese; gavejë e rreth ishin plot me sy gjithkund përreth të katërtave. 19 Kur gjallesat ecnin, ecnin edhe rrotat përbri tyre; kur gjallesat ngriheshin nga toka, gjithashtu ngriheshin edhe rrotat. 20 Kahdo Ngado që i shtynte shpirti të ecnin, ecnin, gjithashtu ngriteshin në ajër me urdhrin e tij: sepse shpirti i gjallesave ishte në rrota. 21 Kur ata ato ecnin, ecnin edhe ato, kur ato ndaleshin, ndaleshin edhe ato, kur ata lartësoheshin nga toka, gjithashtu lartësoheshin ato duke i ndjekur ata ato, sepse shpirti i gjallesave ishte në rrota.

22 Përmbi kokat e gjallesave ishte diçka në përngjasim të kupës qiellore, vezulluese porsi kristali dhe shtrihej përmbi kokat e tyre. 23 Nën kupën qiellore krahët e tyre të shtrirë njëri kundrejt tjetrit: secili me dy krahë e mbulonte trupin e vet.

24 E dëgjoja rrahjen e krahëve të tyre: thua se ushtonin ujërat e mëdha, porsi zëri i të Gjithëpushtetshmit. Kur lëviznin, ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie. Kur ndaleshin, krahët i lëshonin poshtë. 25 E njëmend, kur dëgjohej një zë mbi kupën qiellore, që ishte përmbi kokat e tyre, zinin vend dhe i lëshonin krahët poshtë.

26 Përmbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ishte porsi gur i çmueshëm safiri një gjë porsi fron, përmbi këtë gjë që i përngjante fronit, ishte dikush në përngjasim të njeriut, mbi të. 27 Pastaj pashë diçka të ndritshme porsi qelibari, thua se ishte zjarr nga aty që dukej se kishte ijët e përpjetë gjithkund përreth; kurse nga aty që dukej se kishte ijët e poshtë, dukej si zjarr ndriçues gjithkund përreth. 28 Porsi dukja e ylberit kur duket në re ditën e shiut: e rrethonte një pamje e tillë! E tillë m’u paraqit dukja e lavdisë së Zotit. E pashë e rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që më fliste.

Ezekieli: 2. Vegimi i librit

2

1 Më tha: “Biri i njeriut, ngrihu se dua të të flas!” 2 Si tha kështu, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua.

3 Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj te bijtë e Izraelit, te një popull kryengritësish që kanë çuar kokë kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. 4 Njerëzit, te të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemërgurë. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! 5 Dëgjuan ose s’dëgjuan ‑ sepse janë pjellë e keqe ‑ megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!

6 E ti, biri i njeriut, mos ua ki frikën as mos u tremb nga fjalët e tyre: megjithëse je i rrethuar me murriza e ferra e banon me galloma. Fjalët e tyre mos i druaj as fytyra e tyre të mos të të shtijë frikë, sepse janë pjellë mëkatare. 7 Ti tregoju fjalët e mia, le të dëgjojnë ose le të mos dëgjojnë, sepse janë njerëz kundërshtarë.

8 E ti, biri i njeriut, dëgjo ç’po të them: mos ji kryekëcyer porsi kjo pjellë kundërshtarësh; hape gojën dhe ha çka unë po të të jap.” 9 Shikova dhe, ja, një dorë ishte e shtrirë drejt meje e në të ishte një libër i mbështjellë. E shtriu ndër sy të mi dhe, ja, ishte i shkruar përbrenda e përjashta: ishin të shkruara vajtime, gjëmë e dënesë.

Ezekieli: 3. bijve të Izraelit

3

1 Ai më tha: “Biri i njeriut, haje ç’të është vënë përpara! Haje këtë rrotull dhe nisu e folu bijve të Izraelit!”

2 Unë e hapa gojën, ai më bëri ta ha rrotullën 3 e më tha: “Biri i njeriut, ushqehu dhe ngihu me këtë vëllim që unë po ta jap.” Unë e hëngra dhe për gojën time qe i ëmbël si mjalti.

4 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, shko te shtëpia e Izraelit dhe thuaju fjalët e mia. 5 Nuk po dërgohesh te një popull me të folur të pakuptueshëm e me gjuhë të panjohur, po dërgohesh te shtëpia e Izraelit; 6 s’po të dërgoj ndër popuj të mëdhenj me të folur të pakuptueshëm e me gjuhë të panjohur, të cilëve nuk do të ishe në gjendje t’ua kuptoje të folurit; po të dërgoheshe edhe ndër ta, ata do të të dëgjonin! 7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit është kokëfortë e zemërgur. 8 Shko: unë po e bëj fytyrën tënde më të fortë se fytyrën e tyre e ballin tënd më të ngurtë se ballin e tyre; 9 porsi diamant, më të fortë se gurgacën po e bëj fytyrën tënde: mos i druaj as mos ia ki frikën fytyrës së tyre, sepse janë shtëpi mëkatarësh!”

10 E shtoi: “Biri i njeriut, të gjitha fjalët që po t’i them, pranoji në zemër e dëgjoji me veshë! 11 Shko te të mërguarit, njerëzit e popullit tënd, fol me ta e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj, si të dëgjojnë si të mos dëgjojnë.”

12 Ndërkaq shpirti më ngriti lart e pas meje dëgjova ushtimën e një krisme të madhe ndërsa po çohej lart nga vendi i vet lavdia e Zotit: 13 ishte ushtima e krahëve të gjallesave që rraheshin njëri për tjetrin, rropama e rrotëve që ndiqnin gjallesat, zëri i një potere të madhe!

14 Atëherë një shpirt më ngriti e më mori; shkoja me zemër plot trishtim e hidhërim: sepse dora e Zotit ishte mbi mua e rëndë. 15 Dhe ia beha ndër të mërguarit, në Telabib, ndër ata që banonin bri lumit Kobar, zura vend atje ku ata banonin, ndenja mes tyre atje për shtatë ditë porsi i shituar zanash.

Profeti porsi rojtar

16 Si kaluan këto shtatë ditë, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 17 “Biri i njeriut, të kam bërë rojën e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, duhet t’i vësh në dijeni nga ana ime. 18 Nëse unë i them keqbërësit: ‘Ti do të vdesësh!’, e ti nuk e njofton e nuk i flet që të kthehet nga udha e tij e mbrapshtë e të jetojë, keqbërësi do të vdesë për shkak të keqbërësisë së vet, por unë do ta kërkoj gjakun e tij prej teje. 19 Por, në qoftë se ti do ta qortosh keqbërësin e ai nuk do të kthehet prej paudhësisë së vet dhe nga sjellja e tij e mbrapshtë, ai vetë do të vdesë në mbrapshtinë e vet, porse ti do ta shpëtosh jetën tënde. 20 Kështu edhe, nëse i drejti e lë drejtësinë e vet dhe bën mëkat, unë do t’i vë lakun dhe do të vdesë pse ti nuk e qortove: do të vdesë për shkak të mëkatit të vet dhe s’do t’i merren parasysh veprat e drejtësisë që ka bërë; porse gjakun e tij do ta kërkoj prej teje. 21 Por, në qoftë se ti do ta qortosh të drejtin që të mos mëkatojë, dhe ai s’do të mëkatojë, ai do të jetojë pse ti e qortove, kurse ti e shpëtove jetën tënde.”

I. PARA RRETHIMIT TË JERUSALEMIT

Ezekieli bëhet i pagojë

22 Atëherë ra mbi mua dora e Zotit e Zoti më tha: “Çohu e shko në luginë; atje dua të flas me ty.” 23 U ngrita e shkova në luginë dhe, ja, aty qëndronte lavdia e Zotit porsi lavdia që e pashë në brigjet e lumit Kobar, dhe rashë me fytyrë përdhe. 24 Në mua depërtoi një shpirt, më ngriti në këmbë dhe më tha: “Shko e mbyllu në shtëpinë tënde. 25 Biri i njeriut, mbi ty do të vihen litarë, me ta do të të lidhin e nuk do të dalësh mes njerëzve. 26 Unë do ta ngjes gjuhën tënde për qiellëz e do të mbetesh i pagojë dhe do të pushosh së qortuari, sepse është shtëpi mëkatare. 27 Por, kur unë kam për të folur me ty, do ta zhdërvjell gjuhën dhe ti atëherë thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj. Kush të dëgjojë, le të dëgjojë, e kush të mos dëgjojë, le të mos dëgjojë, sepse janë pjellë e keqe.”

Ezekieli: 4. Paralajmërim se do të rrethohet

4

1 “E ti, biri i njeriut, merre një tullë, vëre para vetes e vizatoje në të qytetin e Jerusalemit. 2 Përreth tij vëre rrethimin, ndërtoje përballë tij një fortesë, punoje llogoren, vendose kundër tij ushtrinë e renditi rreth e rreth deshtë. 3 Merre fulteren e hekurt e vëre në murin e hekurt ndërmjet teje e qytetit, sille fytyrën drejt tij dhe qyteti do të jetë i rrethuar, dhe bëji rrethim. Kjo do të jetë shenjë për shtëpinë e Izraelit.

4 Atëherë bjer në krahun tënd të majtë dhe vëri fajësitë e shtëpisë së Izraelit mbi të: sa ditë do të rrish shtrirë ashtu, aq ditë do t’i mbartësh mëkatet e tyre. 5 Po të caktoj një ditë për vjetët e fajësisë së tyre: për treqind e nëntëdhjetë ditë do ta mbartësh fajësinë e shtëpisë së Izraelit. 6 Kur t’i kesh kryer këto, shtrihu në anën e djathtë të dytën herë dhe do t’i marrësh mbi vete fajet e shtëpisë së Judës për dyzet ditë: një ditë për një vit, një ditë për një vit, mbaje mend, po të caktoj. 7 Atëherë sille fytyrën tënde në drejtim të Jerusalemit të rrethuar, krahu yt le të jetë i zhveshur dhe profetizo kundër tij. 8 Dhe ja, unë do të të lidh me litarë e mos u sill nga një krah në tjetrin derisa t’i kesh kryer ditët e rrethimit tënd.

9 Merr grurë, elb, bathë, thjerrë, mel, tepë dhe qiti të gjitha në një enë dhe përgatit prej tyre bukë për vete për aq ditë sa të rrish mbi krahun tënd: dhe haji gjatë treqind e nëntëdhjetë ditëve. 10 Ushqimi yt do të jetë me peshë njëzet siklash në ditë; dhe haje në një kohë të caktuar. 11 Edhe ujin pije me masë: të gjashtën pjesë të hinit; pije në kohë të caktuar. 12 Dhe haje si bukën e elbit të pjekur në hi dhe piqe ndër sy të tyre në zjarr të përftuar nga tretjet që dalin nga njeriu.”

13 Pastaj Zoti shtoi: “Kështu bijtë e Izraelit do ta hanë bukën e vet të ndyrë ndër paganë ku unë do t’i tres.”

14 Atëherë unë i thashë: “Heu, o Zot Hyj, shpirti im nuk është i ndyrë! Që prejfëmijërisë sime e deri më sot kurrë nuk hëngra cofëtinë as kafshë të copëtuar nga egërsira, kurrë s’hyri në gojën time mish i papastër!” 15 Atëherë më tha: “Ja, po të jap në vend të tretjeve të njerëzve bajgën e lopëve: piqe me bajga bukën tënde!” 16 Dhe më shtoi: “Biri i njeriut, ja unë po e sos kursimin e fundit të bukës në Jerusalem: do ta hanë bukën e peshuar imtësisht e me kujdes, edhe ujin do ta pijnë me masë e me mangësi, 17 kështu që, duke munguar buka e uji, do të meken të gjithë së bashku e do të sharrojnë në fajësinë e vet.

Ezekieli: 5. Ky është Jerusalemi!

5

1 Biri i njeriut, merre një shpatë të mprehtë që rruan qimet, merre në vend të briskut rrues dhe rruaje kokën e mjekrrën. Merre pastaj peshoren e ndaji qimet e rruara.

2 Një të tretën digje në zjarr në mes të qytetit pasi të kenë kaluar ditët e rrethimit; merre edhe një të tretën tjetër dhe preje me shpatë rreth e rreth qytetit e një të tretën tjetër, trete në erë e unë do ta zhvesh shpatën pas tyre. 3 Merri pak prej tyre e lidhi në kindin e petkut tënd; 4 prapë prej tyre merr edhe pak dhe qiti e digji në zjarr: prej tyre do të dalë zjarri. Atëherë thuaji mbarë shtëpisë së Izraelit:

5 Kështu thotë Zoti Hyj: Ky është Jerusalemi! Unë e vendosa mes paganësh dhe të rrethuar nga vendet e huaja. 6 Ai i përbuzi gjyqet e mia, saqë u bë më i patenzonë se paganët, i përbuzi urdhërimet e mia më tepër se vendet që i ka përreth: i flakën gjyqet e mia e nuk ecën urdhërimeve të mia.

7 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi jeni më kryekëcyer se paganët që janë përreth jush, pasi nuk ecët urdhërimeve të mia, nuk i zbatuat gjyqet e mia, por s’vepruat madje as sipas gjyqeve të paganëve që janë përreth jush, 8 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pritëm, pra, se më ke në shpinë dhe unë vetë do ta kryejë gjyqin tim mbi ty ndër sy të paganëve, 9 e do të bëj në ty çka s’kam bërë kurrë dhe kurrë më s’do ta bëj, për shkak të turpësive të tua! 10 Ja pra, në mesin tënd etërit do t’i hanë fëmijët e vet dhe fëmijët do t’i hanë baballarët e vet. Do ta çoj në vend gjyqin tim mbi ty e çka të teprojë prej teje do ta tres në katër anët e botës. 11 Prandaj, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ siç është e vërtetë se ti e ke dhunuar Shenjtëroren time me të gjitha fyerjet e tua e me të gjitha turpësitë e tua, ashtu edhe vetë do të rruaj, s’do ta lë të ketë dhimbje syri im e s’do të përdëllej. 12 Një e treta jote do të vdesë nga murtaja e do të shqimet nga uria brenda në ty, një e treta pjesë tjetër jotja do të bjerë nga shpata në rrethet e tua, kurse një të tretën pjesën tënde do ta tres në çdo anë dhe do ta nxjerr shpatën pas tyre. 13 Atëherë do ta shfrej furinë time, do ta qetësoj zemërimin tim kundër tyre e do të gjej ngushëllim. Atëherë do ta dinë se unë Zoti fola në zemërimin tim kur do ta çoj në vend zemërimin tim kundër tyre. 14 Shkretëtirë do të të bëj dhe turp në sytë e paganëve që janë rreth teje, në sy të të gjithë kalimtarëve. 15 Do të jesh çnderim, mallkim, shembull e tmerr ndër paganët që janë përreth teje, kur t’i çoj në vend gjyqet e mia kundër teje me furi, me zemërim e me ndëshkim të furishëm. 16 Po flas unë, Zoti ‑ kurdo t’i kokërroj kundër jush shigjetat e zeza të urisë, që do të jenë vdekjeprurëse, me të cilat do t’ju gjuaj për t’ju shkatërruar dhe do ta sjell mbi ju urinë ‑ do t’jua zhduk edhe kursimin e fundit të bukës. 17 Do të çoj kundër jush urinë dhe bishat e egra e do të të lënë pa fëmijë në vatër: murtaja e gjaku do të kalojnë nëpër ty, shpatën do ta sjell kundër teje. Po flas unë, Zoti.”

Ezekieli: 6. Kundër bjeshkëve të Izraelit

6

1 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit. Më tha: 2 “Biri i njeriut, sillu me fytyrë drejt bjeshkëve të Izraelit e profetizo kundër tyre. 3 Thuaj: Malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj! Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, luginave e vërrive: Ja, unë do ta çoj kundër jush shpatën dhe do t’i rrafshoj lartësitë tuaja; 4 do t’i rrënoj lterët tuaj, do të copëtohen shenjtëroret tuaja e të vrarët tuaj do t’i përplas para idhujve tuaj. 5 Do t’i plandos trupat e bijve të Izraelit para tempujve tuaj dhe eshtrat tuaja do t’i shkapërderdh para lterëve tuaj. 6 Në të gjitha vendbanimet tuaja qytetet tuaja do të shkretohen, lartësitë do të shkatërrohen që të rrënohen e të zhduken lterët tuaj, që të thërmohen e të zhduken idhujt tuaj, të rrafshohen tempujt tuaj e të shpartallohen veprat tuaja. 7 Të vrarët do të bien në mesin tuaj e do ta dini se unë jam Zoti.

8 Prapëseprapë do t’i kursej disa prej jush, që do të shpëtojnë prej shpatës, të cilët unë do t’i tres ndër paganë. 9 Atëherë, të mbeturve gjallë prej jush, do t’u bjerë ndër mend për mua ndër paganë, ku do t’i çoj në skllavëri, sepse do t’ua copëtoj zemrën e tyre të pabesë që u largua prej meje dhe sytë e tyre që bënë lavirësi me idhujt e tyre. Vetvetja do t’u neveritet për shkak të fajësive që bënë në të gjitha turpësitë e veta. 10 Atëherë do ta dinë se unë Zoti nuk fola kot se do t’ua çoj këto të këqija.

Mëkatet e Izraelit

11 Kështu thotë Zoti Hyj: Rrahi shuplakat, bjeri tokës me këmbë e thuaj: Vaj! Për shkak të të gjitha turpësive të zeza shtëpia e Izraelit po shfaroset nga shpata, uria e murtaja! 12 Kush është larg, do të vdesë nga murtaja, kush është afër, do të bjerë nga shpata e kush i rrethuar të mbesë gjallë, do të vdesë nga uria, sepse do ta çoj në vend furinë time kundër tyre. 13 Do ta dini se unë jam Zoti, kur trupat e tyre do të mbesin rrah ndër idhujt e tyre, përreth lterëve të tyre, në çdo kodër të lartësuar, në majat e maleve e nën çdo pemë të gjelbër, nën çdo qarr shatorr ‑vend ku u kushtuan kem të erëndshëm të gjithë idhujve të vet! 14 Do ta shtrij dorën time mbi ta e do ta bëj vendin të shkretë e të përmbysur që nga shkretëtira e deri në Reblë, kudo të banojnë! Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 7. Mbarimi i afërt

7

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 ”Ti, biri i njeriut, thuaj: Kështu i thotë Zoti Hyj tokës së Izraelit: E pat! Erdhi fundi mbi katër anët e botës! 3 Tashti edhe ty të erdhi fundi: furinë time mbi ty do ta zbraz, do të të dënoj sipas sjelljeve të tua, mbi ty do t’i hedh të gjitha turpësitë e tua. 4 Syri im s’do të ketë dhimbje për ty, nuk do të ketë mëshirë, por do të kërkoj përgjegjësi për sjelljen tënde e veprat e neveritshme të tuat do të mbesin në ty dhe ju do ta dini se unë jam Zoti.

5 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po vjen një fatkeqësi mbi fatkeqësi! 6 Po vjen sosja, erdhi sosja! Rri zgjuar kundër teje, ja ia behu ! 7 Të erdhi e zezëdita, o banuesi i tokës! Erdhi koha, afër është dita e trishtimit e jo e haresë ndër male! 8 Tashti, edhe pak, e do ta zbraz mbi ty furinë time, do ta çoj në vend zemërimit tim kundër teje, do të të dënoj sipas sjelljeve të tua e mbi ty do t’i hedh të gjitha fajësitë e tua! 9 Syri im s’do të ketë dhimbje as s’do të kem mëshirë, madje do të kërkoj llogari për sjelljet e tua e turpësitë e tua do të mbeten në ty e do ta dini se unë jam Zoti që godet.

10 Ja, dita! Ja po vjen dita! U nis e zezëdita, lulëzoi padrejtësia, mbiu krenaria! 11 Në këmbë është dhuna për ta ndëshkuar paudhësinë: asgjë s’mbetet prej tyre, asgjë nga shkëlqimi i tyre, asgjë prej bubullimës së tyre, ndër ta më s’do të ketë qetësi! 12 Erdhi koha, u afrua dita: kush blen, të mos gëzohet, kush shet, të mos ankohet, sepse hidhërimi po zbrazet mbi mbarë madhështinë e saj. 13 Sepse, ai që shiti, s’do të rikthejë më çka shiti derisa të jetë gjallë, sepse pamja e madhështisë së saj nuk do të hiqet dalë dhe askush s’do ta bëjë më të fortë jetën e vet në saje të fajësisë.

14 Bini borisë, le të jetë gjithçka gati, por s’ka kush të dalë në luftë: sepse mbi kokë i rri zemërimi im mbarë madhështisë së saj!

Mëkatet e Izraelit

15 Përjashta ‑ shpata, përbrenda ‑ murtaja e uria! Kush është në fushë, do të vdesë nga shpata, kush është në qytet, do ta përpijë uria e murtaja. 16 Prej tyre do të shpëtojnë ata që do të ikin, por ata do të jenë në male porsi pëllumbat e luginave në pikëllim: të gjithë do të sharrojnë në fajësinë e vet.

17 Të gjitha duart pa fuqi do të mbesin,

të gjithë gjunjët s’do të bajnë më se ujët.

18 Me grathore të gjithë do të ngjeshen,

tmerri të gjithë do t’i pushtojë.

Do të bjerë turpi mbi çdo fytyrë,

do të shoget koka e të gjithëve.

19 Argjendin e vet në udhë do ta hedhin,

ndotje ari do t’u bëhet.

S’do t’i shpëtojnë argjendi e ari i tyre

ditën e zemërimit të Zotit,

me të urinë nuk do ta shuajnë,

barkun e vet nuk do ta mbushin,

pse u bë shkaku i fajësisë së tyre.

20 Argjendet e tyre të bukura

i shndërruan në turpësi:

punuan me to idhujt e vet,

pikturat e veta të ndyra,

ja, përse në iri ua ktheva.

21 Do ta jap të huajve për plaçkë,

të patenzonëve të tokës për pre,

ata do ta përdhunojnë.

22 Larg prej tyre faqen do ta kthej,

do të dhunohet visari im i fshehtë;

plaçkitësit në të do të hyjnë

e do ta përdhujnë;

23 vargje me të do të punojnë,

sepse vendi është plot me vrasje,

qyteti është plot fajësi.

24 Lumin e popujve në të do të sjell,

shtëpitë e tyre do t’i zotërojnë,

do ta zhduk madhështinë e forcës së tyre,

shenjtëroret do t’ua dhunojnë.

25 Kur të vijë ngushtica do të kërkojnë paqen,

por paqe nuk do të ketë!

26 Fatkeqësi mbi fakteqësi do të vijë,

kushtrimi s’do të presë kushtrimin;

prej profetit do të kërkojnë përgjigje,

priftërinjtë mësimin do ta harrojnë

edhe pleqve do t’u mungojë këshilla.

27 Mbreti do të jetë në zi,

princin tmerri do ta mb’lojë,

popullit vendas duart do t’i dridhen;

me ta do të sillem sipas sjelljes së tyre,

do t’i gjykoj sipas gjyqeve të tyre

e ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 8. Vegimi i mëkateve të Jerusalemit

8

1 Ishte viti i gjashtë, muaji i gjashtë e dita e pestë e muajit, unë isha në shtëpinë time e te unë ndodheshin pleqtë e Judës dhe, ja, dora e Zotit Hyj aty ra mbi mua. 2 Unë shikova dhe, ja, pashë diçka në përngjasim të njeriut. Prej asaj që dukej se ishin ijët e tij e poshtë: zjarr, kurse prej ijëve të tij e përpjetë, një pamje e shkëlqyeshme si e metalit të skuqur. 3 Ai shtriu një gjësend në përngjasim të dorës e më kapi për kaçurrela të kokës sime: një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në vegime hyjnore në Jerusalem, në hyrje të derës së brendshme që shikon drejt veriut, ku ishte i vendosur idhulli i mendjes së zezë për të ngacmuar mendjen e zezë. 4 Dhe ja, aty ishte edhe lavdia e Hyjit të Izraelit, po me atë pamje me të cilën e kisha parë në luginë. 5 Ai më tha: “Biri i njeriut, çoji sytë e tu në drejtim të veriut!” Unë i lartësova sytë në drejtim të veriut, dhe ja, në anën e veriut të derës së lterit idhulli i mendjes së zezë, pikërisht në hyrje! 6 Atëherë vazhdoi: “Biri i njeriut, a po sheh se çfarë po bëjnë këta? A po i sheh turpësitë e mëdha që po i bën këtu shtëpia e Izraelit që unë të largohem nga Shenjtërorja ime? Por ti do të shohësh ende turpësi të tjera edhe më të mëdha.”

7 Atëherë më çoi te dera e tremes dhe pashë një vrimë në mur. 8 Më tha: “Biri i njeriut, theje murin! Kur e theva murin, atëherë u pa një hyrje. 9 Vazhdoi e më tha: “Hyr e shikoji turpësitë e tmerrshme që këtu i bëjnë ata!” 10 Hyra e pashë çdo lloj zvarraniku e kafshësh të neveritshme e të gjithë idhujt e popullit të Izraelit të pikturuar gjithreth e rreth në mur. 11 Në këmbë para atyre pikturave qëndronin shtatëdhjetë pleqtë e shtëpisë së Izraelit e Jezonia, biri i Safanit, në mes, secili kishte në dorë kemoren, prej së cilësh ngrihej re tymi të erëndshëm. 12 Atëherë më tha: “A po sheh, biri i njeriut, çfarë bëjnë të parët e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e idhullit të vet? Ata thonë: ‘Zoti ne nuk na sheh, Zoti e ka braktisur vendin’.” 13 Pastaj më tha: “Por ti do të shohësh turpësi edhe më të mëdha që i bëjnë këta.”

14 Atëherë më çoi te dera e shtëpisë së Zotit që shikon kah veriu, dhe ja, aty rrinin gra, duke vajtuar Tamucin. 15 Më tha: “Shiko, pra, biri i njeriut! Por do të shohësh turpësi edhe më të mëdha se këto!”

16 Atëherë më çoi në tremen e brendshme të Tempullit; dhe ja, në derën e Tempullit të Zotit, ndërmjet tremes e lterit, ishin reth njëzet e pesë burra, me shpina të kthyera kundër Tempullit të Zotit e me fytyrë kah lindja, dhe me fytyrë përdhe adhuronin diellin! 17 Ai më tha: “A po sheh, biri i njeriut? Po a nuk është kjo e tepërt për shtëpinë e Judës, që i bëjnë të gjitha këto turpësi këtu? Ata e mbushën vendin me fajësi dhune, ata gjithnjë e ngacmojnë zemërimit tim. Ja, si i vënë gemat në hundë!

18 Ja, pra, edhe vetë do të sillem me zemërim: syri im s’do të ketë dhimbje, mëshirë s’do të kem, kur me zë të fortë do t’u lëshojnë kushtrim veshëve të mi: s’do t’ua dëgjoj lutjen!”

Ezekieli: 9. Ndëshkimi

9

1 Atëherë bërtiti me një zë të fortë në veshët e mi e më tha: “U afruan ndëshkimet e qytetit! Secili le ta ketë në dorë veglën e vrasjes!” 2 Dhe ja, gjashtë vetë po vinin nga dera e lartë, nga ajo që shikon drejt veriut, e secili mbante në dorën e vet armën e goditjes. Mes tyre ishte një tjetër njeri i veshur me petka të linjta e veglat e shkrimit i kishte në brez. Hynë dhe zunë vend përbri lterit të tumbakët . 3 Lavdia e Hyjit të Izraelit, nga kerubini, mbi të cilin pushonte, u ngrit në drejtim të pragut të Tempullit dhe e thirri burrin që ishte i veshur me të linjta dhe që i kishte veglat e shkruesit në brez. 4 Zoti i tha: “Kalo përmes qytetit nëpër Jerusalem dhe shënoje një “tau” mbi ballin e atyre njerëzve që ofshajnë dhe dënesin për shkak të të gjitha këtyre turpësive që po bëhen në mes të Jerusalemit.”

5 Kurse atyre të tjerëve u tha ‑ e dëgjova vetë ‑: “Kaloni nëpër qytet e shkoni pas tij dhe goditni: syri juaj të mos ketë dhimbje e mos kini mëshirë: 6 vritni plak e të ri, vajzë, foshnjë e grua, tretuani farën; por ruajuni se vritni ndonjë prej atyre që e kanë shenjën “tau”. Nisjani nga Shenjtërorja ime!” Ia filluan, pra, nga pleqtë që ishin para Tempullit. 7 Atëherë u tha: “Dhunojeni Tempullin! Mbusheni oborrin me të vrarë! Dilni!” Ata dolën e i vrisnin ata që ishin në qytet.

8 Tashti, ndërsa ata po vrisnin, unë mbeta vetëm, rashë me fytyrë përdhe e thashë: “Heu, o Zot Hyj! A po ia humb farën edhe tepricës së Izraelit, duke e zbrazur hidhërimin tënd mbi Jerusalem?” 9 E ai m’u përgjigj: “Paudhësia e shtëpisë së Izraelit e të Judës është për së tepërmi e madhe; mbarë toka është mbushur me gjak, kurse qyteti është plot me padrejtësi. Sepse ata thanë: ‘E ka braktisur Zoti vendin, Zoti nuk sheh!’; 10 prandaj as syri im s’do të ketë dhimbje e nuk do të mëshiroj: do t’u kërkoj përgjegjësi për sjelljen e tyre.” 11 Dhe ja, ai njeri i veshur me të lintja e që në brez kishte veglat e shkrimit, u përgjigj e tha: “Kreva çka më ke urdhëruar.”

Ezekieli: 10. mbi kupën qiellore

10

1 Shikova dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte përmbi kokë të kerubinëve diçka si gur safiri dhe përmbi ta u duk diçka e ngjashme me një fron. 2 Ai i tha njeriut të veshur në të linjta: “Hyr ndërmjet rrotave që janë nën kerubinë dhe mbushi grushtat e tu me prush zjarri që është ndërmjet kerubinëve e zbrazi mbi qytet.” Ai njeri hyri ndër sy të mi.

3 Kerubinët ishin në të djathtën e Tempullit kur njeriu hyri brenda e reja e mbushi oborrin përbrenda. 4 Atëherë u ngrit Lavdia e Zotit nga kerubinët drejt pragut të Tempullit dhe Tempulli u mbush me re, kurse oborri u mbush me shkëlqimin e Lavdisë së Zotit. 5 Rrahja e krahëve të kerubinëve dëgjohej deri në tremen e jashtme, porsi jehona e zërit të Zotit të gjithëpushtetshëm kur flet.

6 E kur ai i dha urdhër njeriut që ishte i veshur me të linjta: “Merr zjarr prej mesit të rrotave, ndërmjet kerubinëve”, ai njeri hyri dhe zuri vend përbri rrotës. 7 Një kerubin e shtriu dorën nga mesi i kerubinëve drejt zjarrit që ishte ndërmjet kerubinëve, mori dhe i qiti në grushtat e atij që ishte i veshur me të linjta. Ky e mori zjarrin e doli. 8 Atëherë pashë se kerubinët kishin nën krahët e tyre diçka në përgjasimin e dorës së njeriut. 9 Shikova, dhe ja, ishin katër rrota përgjatë kerubinëve, nga një rrotë përgjatë secilit kerubin. Dukja e rrotave ishte e ngjashme me gurin krisolit. 10 Të katërtat ishin si njëra ‑ tjetra, thuase njëra rrotë ishte e futur në tjetrën. 11 Kur lëviznin, mund të shkonin në të katër drejtimet pa pasur nevojë të sillen, por ecnin drejt vendit ku u printe e para, të tjerat e ndiqnin e nuk silleshin kur lëviznin. 12 E mbarë trupi i tyre, shpina, duart e krahët edhe rrotat ishin plot me sy gjithkund përreth, të katërtat. 13 Dëgjova se këto rrota u quajtën: “Vorbull”. 14 Secili kerubin kishte katër fytyra: faqja e parë, faqja e kerubinit, faqja e dytë, faqja e njeriut, faqja e tretë, faqja e luanit, faqja e katërt, faqja e shqiponjës. 15 Kerubinët u ngritën në ajër: ishte gjallesa që e kisha parë te lumi Kobar. 16 Kur niseshin kerubinët, niseshin edhe rrotat përgjatë tyre; kur kerubinët i luanin krahët për t’u ngritur nga toka, rrotat nuk silleshin, por qëndronin përgjatë tyre. 17 Kur qëndronin ata, qëndronin, kur ngriheshin ata, ngriheshin; sepse shpirti i gjallesave ishte në to.

Lavdia e Zotit largohet nga Tempulli

18 Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit e zuri vend mbi kerubinë. 19 Kerubinët i hapën krahët e vet ndër sy të mi e u ngritën nga toka, e, duke u nisur, me ta shkuan edhe rrotat. U ndal në hyrje të derës së Shtëpisë së Zotit, në lindje. Lavdia e Zotit të Izraelit ishte mbi ta. 20 Është kjo po ajo gjallesë që e pashë nën Hyjin e Izraelit bri lumit Kobar dhe e kuptova se ishin kerubinë. 21 Secili ishte me katër faqe e me katër krahë edhe secili kishte nën krahë diçka të ngjashme me dorën e njeriut. 22 Fytyrat i kishin të njëjta me ato që i pashë bri lumit Kobar. Secili ecte para vetes.

Ezekieli: 11. Vazhdim mbi mëkatet e Jerusalemit

11

1 Shpirti më ngriti e më çoi te dera lindore e Tempullit të Zotit, tek ajo që shikon nga lind dielli. Dhe ja, në hyrje të derës njëzet e pesë burra, e në mes tyre, pashë Jehoninë, birin e Azurit, e Feltinë, birin e Banajës, princat e popullit. 2 Më tha: “Biri i njeriut, këta janë njerëzit që përsiatin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet 3 dhe thonë: ‘Pse a nuk u ndërtuan pak më përpara shtëpitë? Ky qytet është kusia e ne jemi mishi.’ 4 Prandaj profetizo kundër tyre! Profetizo, biri i njeriut!”

5 Dhe shpirti i Zotit, zbriti tek unë e më tha: “Fol! Kështu thotë Zoti: Kështu thotë, shtëpia e Izraelit, e mendimet e zemrës suaj unë i njoh. 6 Shumicë njerëzish vratë në këtë qytet dhe i mbushët rrugët e tij me të vrarë. 7 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ata që ju i vratë, që i hodhët nëpër të, ata janë mishi e ky qytet është kusia; kurse ju do t’ju nxjerr nga ky qytet! 8 Shpatën e druajtët, shpatën do ta çoj mbi ju ‑ është fjala e Zotit Hyj. 9 Unë do t’ju hedh jashtë tij, do t’ju lëshoj në dorë të armikut dhe do të bëj gjyq për ju. 10 Prej shpatës do të bini. Në kufi të Izraelit do t’ju gjykoj dhe do ta kuptoni se unë jam Zoti. 11 Ky qytet s’do të jetë më kusia juaj e ju s’do të jeni mish në të: në kufijtë e Izraelit do t’ju gjykoj! 12 Do ta dini se unë jam Zoti: ju që nuk ecët në urdhërimet e mia e nuk i zbatuat ligjet e mia, por vepruat sipas ligjeve të paganëve që janë rreth e rreth jush.”

13 Ndërsa unë po profetizoja, vdiq Feltia, biri i Banajës. Unë rashë me fytyrë përdhe e bërtita me sa munda e thashë: “Heu! O Zot, Hyj! Farën po ia humbet Tepricave të Izraelit!”

Mërgimtarëve u premtohet një besëlidhje e re

14 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

15 “Biri i njeriut, janë vëllezërit e tu, farefisi yt, të afërmit e tu edhe mbarë shtëpia e Izraelit, të cilëve u thanë banorët e Jerusalemit: ‘Ata janë larg Zotit; toka na është dhënë neve për pronë.’ 16 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi i treta larg ndër paganë, pasi i shpërndava nëpër vende të ndryshme, unë për pak kohë do të bëhem Shenjtërorja e tyre në vendet ku arritën. 17 Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Do t’ju bashkoj prej popujve e do t’ju mbledh nga tokat, në të cilat keni qenë tretur dhe do t’ju jap tokën e Izraelit. 18 Kur këta të kthehen në të, do t’i zhdukin prej saj të gjitha neveritë e turpësitë. 19 Unë do t’u jap një zemër tjetër, në ta do të fus një shpirt të ri, nga trupi i tyre do ta nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap zemër të mishtë, 20 kështu që të ecin urdhërimeve të mia e t’i zbatojnë gjyqet e mia: që të jenë populli im e unë të jem Hyji i tyre. 21 Por prej atyre që me zemër i ndjekin neveritë e turpësitë idhujtare do të kërkoj përgjegjësi” ‑ është fjala e Zotit Hyj.

Lavdia e Zotit e lë Jerusalemin

22 Atëherë kerubinët i lartësuan krahët, me ta u nisën edhe rrotat mbi të cilat ishte Lavdia e Zotit të Izraelit. 23 Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e shkoi e zuri vend mbi malin që është në lindje të qytetit.

24 Shpirti më kapi edhe mua e më solli ndër kaldenj, në mes të të mërguarve, në vegim, në shpirtin e Hyjit; atëherë m’u zhduk vegimi që pata. 25 Unë pastaj u tregova mërgimtarëve të gjitha fjalët që Zoti m’i kishte thënë.

Ezekieli: 12. Profeti i imiton të treturit

12

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, ti banon në mesin e njerëzve kryekëcyer, të cilët i kanë sytë për të parë e nuk shohin, veshët për të dëgjuar e nuk dëgjojnë, sepse janë njerëz kryengritës. 3 Ti, pra, biri i njeriut, bëji gati gjërat për udhëtim e ndër sy të tyre bëj sikur po çohesh ditën për diell, e shpërngulu nga vendi yt në një vend të tjetër ndër sy të tyre, a mos ndoshta e hetojnë se janë pjellë e keqe. 4 Merre ngarkesën tënde, sikurse ai që shpërngulet, ditën, ndër sytë e tyre e hodhe jashtë; dil jashtë në mbrëmje siç bën ai që niset për mërgim. 5 Ndër sy të tyre shporoje murin e dil nëpër të. 6 Ndër sy të tyre vëre në krah ngarkesën e mbarte në terrin e natës; mbuloje fytyrën që të mos e shikosh tokën, sepse të bëra shenjë për shtëpinë e Izraelit.

7 Bëra ashtu si më urdhëroi Zoti: ditën e nxora jashtë ngarkesën, ngarkesën e shpërngulësit, e në mbrëmje e shporova murin me dorën time e në terrin e natës e ngarkova në krah dhe e mbarta ndër sytë e tyre.

8 Në mëngjes më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 9 “Biri i njeriut, vallë a nuk të pyeti shtëpia e Izraelit, ajo pjellë e keqe: ‘Çfarë po bën ashtu?’ 10 Përgjigju: Kështu thotë Zoti Hyj: Kjo profeci është për prijësin që është në Jerusalem e për mbarë shtëpinë e Izraelit që është në të. 11 Thuaj: Unë jam shenja juaj! Siç bëra unë, ashtu do t’u ndodhë atyre: do të shkojnë në mërgim e në skllavëri! 12 Prijësit që është ndër ta do t’i duhet ta mbartë në krah ngarkesën e në terrin e natës do të dalë. Murin do ta birojnë që të bëhet kalim nëpër të; fytyrën e vet do ta mbulojë që me sy të mos e shohë tokën. 13 Unë do t’ia ngreh rrjetën që të bjerë në të e të zihet në lakun tim. Do ta shpie në Babilon, në tokën e kaldenjve, por atë s’do ta shohë e atje do të vdesë. 14 E të gjithë ata që janë përreth tij, rojën trupore dhe njësitë e tij, do t’i shpërndaj në çdo anë dhe pas tyre do ta nxjerr shpatën. 15 Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur t’i kem shpërndarë ndër paganë e shpërngulur nëpër toka të ndryshme. 16 Prej tyre do të lë të shpëtojë nga shpata, uria e murtaja një numër të vogël njerëzish, që t’i tregojnë paudhësitë e tyre ndër paganët te të cilët do të arrijnë. Do ta dinë se unë jam Zoti.”

17 Më qe drejtuar edhe kjo fjalë e Zotit: 18 ”Biri i njeriut, ha bukë me frikë e pi ujë me të dridhura e me shqetësim. 19 E thuaji popullit të vendit: Kështu u thotë Zoti Hyj atyre që banojnë në Jerusalem, në tokën e Izraelit: Në ngushticë të madhe do ta hanë bukën e në mjerim të madh do ta pijnë ujin, sepse vendi do t’u shkretohet e do të mbesë pa asgjë për shkak të paudhësisë së të gjithë atyre që banojnë në të; 20 po edhe qytetet që tani janë të banuara, do të shkretohen, mbarë vendi do të mbesë shkretë: atëherë do ta dini se unë jam Zoti.”

Thashetheme në popull

21 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 22 “Biri i njeriut, çka ju thotë ajo fjalë që shkoni duke e përsëritur gojë më gojë në tokën e Izraelit: ‘Ditët po kalojnë e po zhduket çdo vegim?’ 23 Prandaj thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Do të bëj të mos dëgjohet më ajo thashetheme e s’do të përsëritet më në popull në tokën e Izraelit! Thuaju: Po afrohen tashmë ditët, kur të gjitha vegimet do të shkojnë në vend. 24 Më s’do të ketë vegim të kotë as parashikim të gabuar në mesin e bijve të Izraelit, 25 sepse po flas unë, Zoti, çdo fjalë që ta them, do të plotësohet: më nuk do të shtyhet, por në ditët tuaja, shtëpi kryengritëse, do ta them fjalën e do ta zbatoj!” ‑ është fjala e Zotit Hyj.

26 Atëherë m’u drejtua fjala e Zotit e më tha: 27 “Biri i njeriut, ja, izraelitët po thonë: ‘Vegimi që ka është për ditë të largëta, profetizon për kohë të largëta!’; 28 prandaj thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Asnjë fjalë e imja nuk do të shtyhet më; fjalën që ta kem thënë do ta çoj në vend ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 13. Kundër profetëve të rremë

13

1 Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë profetët e rremë që ndjekin mendjen e vet pa pasur vegime! 4 Porsi dhelprat ndër rrënoja janë bërë profetët e tu, o Izrael! 5 Ju as s’u ngjitët në të çarat e murit as s’e bëtë një pëllëmbë mur në mbrojtje të Izraelit që të mund të qëndroni në luftim në ditën e Zotit.

6 Shohin gjëra të kota dhe parakallëzojnë gënjeshtra e thonë: ‘Thotë Zoti!’, e Zoti as që i ka dërguar! Madje edhe presin që Zoti t’ua përforcojë fjalën! 7 Po a nuk patë vegim të kotë e nuk treguat parashikim të rremë e megjithatë thoni: ‘Thotë Zoti’, ndërsa unë nuk kam folur?”

8 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni folur punë të kota e vegimi juaj ka qenë i rremë, prandaj pritmëni se në shpinë më keni, thotë Zoti Hyj. 9 Dora ime do të jetë kundër profetëve që shohin punë të kota e parakallëzojnë rrena: në kuvendin e popullit tim s’do të kenë pjesë, nuk do të shkruhen në librin e popullit të Izraelit as nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit; atëherë do ta dini se unë jam Zoti Hyj. 10 Pasi e gënjejnë popullin tim duke thënë: ‘Paqe’, e paqe s’ka; ndërsa ai e ndërtonte murin, këta duan vetëm të lyhet me llaç. 11 Thuaju këtyre që vetëm vënë lugë, se muri do të rrëzohet: do të bjerë shi me rrëshekë; do të lëshoj përmbi të breshër porsi gurë dhe stuhinë e thellimit rrënues! 12 Dhe, ja, muri ra! Vallë a nuk do t’ju thonë: ‘Ku është luga që dhatë?’ 13 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Do ta çoj në zemërimin tim një stuhi të tmerrshme, në zemërimin tim një shi vërshues, në hidhërimin tim do ta çoj një breshër si gurë për të shkatërruar gjithçka! 14 Do ta rrënoj murin që e lyet me llaç e do ta bëj rrafsh me tokë, jashtë do t’i dalë themeli e do të shembet! Edhe ju do të sharroni nën të e atëherë do ta dini se unë jam Zoti.

15 Kur ta kem çuar në vend zemërimin tim kundër murit e kundër atyre që i dhanë lugë, atëherë do t’ju them: S’ka më mur, e patën edhe ata që i dhanë lugë! 16 Sharruan profetët e Izraelit që i profetizojnë Jerusalemit e që kanë vegime paqeje kur paqe s’ka ‑ thotë Zoti Hyj.

Kundër profeteshave të rreme

17 E ti, o biri i njeriut, sillu drejt bijave të popullit tënd, që profetizojnë sipas mendjes së vet dhe profetizo kundër tyre 18 e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Të mjerat ato që qepin jetulla për të gjitha nyjat e dorës e punojnë vela për kokë të çdo mase për t’i hedhur shpirtrat në lak! A mendoni t’i zini në lak të gjithë shpirtrat e popullit tim e shpirtrat tuaj t’i ruani në jetë? Ju jeni ato që më dhunuat mua para popullit tim për një grusht elb e për një copë bukë duke vrarë nga ata njerëz që nuk duhej të vdisnin e duke i kursyer ata që nuk duhej të jetonin duke e rrejtur popullin tim që kënaqet duke dëgjuar rrenat tuaja.

20 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër jetullave tuaja, me të cilat po i kapni njerëzit porsi shpendët! Copë do t’i bëj nga duart tuaja e do t’i çliroj njerëzit që me to i kapët sikur të ishin zogj! 21 Do t’i shqyej velat tuaj e do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja dhe më nuk do të jenë pre në duart tuaja: atëherë do ta dini se unë jam Zoti.

22 E për atë që e copëtuan në trishtim zemrën e të drejtit me rrenat tuaja, atë që unë e trishtova e i ripërtëritët në fuqi duart e të patenzonit, me qëllim që të mos kthehet nga udha e vet e keqe e të jetojë, 23 këndej më nuk do të shihni kotësi dhe më s’do të parakallëzoni rrena: unë do ta shpëtoj popullin tim nga dora juaj dhe atëherë do ta dini se unë jam Zoti.

Ezekieli: 14. Kundër idhujtarisë

14

1 Erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën pranë meje. 2 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

3 “Biri i njeriut, këta njerëz i kanë vendosur idhujt në zemrat e veta dhe para syve të vet i kanë vendosur ata që i bëjnë të bien në mëkat. Vallë, kur të më pyesin për këshillë a thua do t’u përgjigjem? 4 Prandaj fol me ta e thuaju kështu: Kështu thotë Zoti Hyj: Çdo njeriu prej shtëpisë së Izraelit që i ka vendosur idhujt në zemrën e vet dhe i ka vënë përpara syve të vet ata që e bëjnë të bjerë në mëkat, kur të vijë te profeti për të më pyetur nëpërmjet tij, unë Zoti do t’i përgjigjem atij sipas shumësisë së idhujve të tij 5 që ta kap shtëpinë e Izraelit në zemër, me të cilën u larguan prej meje për shkak të idhujve të vet.

6 Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Kthehuni e largohuni nga idhujt tuaj dhe shkoqeni fytyrën tuaj nga çdo ndyrësi. 7 Sepse çdo izraeliti dhe çdo ardhacaku, kushdo të jetë ai ardhacak në Izrael, nëse largohet prej meje e i vendos idhujt në zemrën e vet dhe i vë përpara syve ata që e bëjnë të bjerë në mëkat, nëse vjen te profeti për të më pyetur mua nëpërmjet tij, unë Zoti vetë do t’i përgjigjem për vete; 8 do ta largoj fytyrën time nga ai, atë do ta bëj një emnesë për t’u përralluar, do ta çrrënjos nga populli im e atëherë do ta dini se unë jam Zoti.

9 Po në qoftë se profeti gabon e flet, atëherë unë Zoti e kam ngashnjyer atë profet: do ta çoj dorën time kundër tij dhe do ta zhduk nga mesi i popullit tim izraelit. 10 Të dy do të jenë përgjegjës për fajin e vet! Faji do të jetë si i atij që pyet, si i profetit. 11 Kështu shtëpia e Izraelit nuk do të endet më larg meje dhe s’do të ndyhet më me ndyrësitë e veta. Do të jetë populli im e unë do të jem Hyji i tyre ‑ thotë Zoti Hyj.”

Përgjegjësia vetjake

12 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 13 ”Biri i njeriut, kur një vend të mëkatojë kundër meje me pabesnikëri, mbi atë vend do ta çoj dorën time, do t’ia zhduk kursimin e bukës së tij, do të çoj në të urinë e do të vras në të njeri e kafshë; 14 po edhe në ndodhshin këta tre burra në mesin e tij: Noehi, Daneli e Jobi, këta, në saje të drejtësisë së vet, do ta shpëtojnë jetën e vet ‑ është fjala e Zotit Hyj. 15 Po në qoftë se do të çoj egërsira kundër atij vendi për t’ia shuar fëmijët e të bëhet vend i shkretë, nëpër të cilin të mos kalojë askush për shkak të egërsirave, 16 në qoftë se këta tre burra ndodhin në të, pasha jetën time, thotë Zoti Hyj, s’do të mund t’i shpëtojnë as bijtë as bijat, do të shpëtojnë vetëm ata, kurse vendi do të shkretohet. 17 Ose, në qoftë se do ta çoj shpatën kundër atij vendi e nëse i them shpatës: Përshkoje vendin se dua të vras në të njerëz e kafshë, 18 këta tre burra, nëse do të ndodhin në të, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ ata s’do të mund t’i shpëtojnë bijtë e bijat e veta, por do të shpëtojnë vetëm ata. 19 Ose në qoftë se do ta çoj në atë vend murtajën dhe do ta zbraz në atë vend zemërimin tim dhe vrasjen për të zhdukur në të njerëz e kafshë, 20 e në qoftë se në mes të tij gjenden Noehi, Daneli e Jobi, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ bij e bija s’do të mund t’i shpëtojnë, do të shpëtojnë vetëm vetveten në saje të drejtësisë së vet.

21 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Në qoftë se edhe i çoj katër frushkujt e mi të tmerrshëm: shpatën, urinë, egërsirat e murtajën kundër Jerusalemit për të zhdukur në të njerëz e kafshë, 22 megjithatë do ta lë në të një Tepricë që do t’i shpëtojnë bij e bija. Ja, ata do të vijnë tek ju dhe ju do ta shihni sjelljen e tyre dhe veprat e tyre dhe atëherë do të ngushëlloheni, sepse do ta kuptoni se nuk i çova të gjitha ato të këqija mbi Jerusalem pa ndonjë arsye. 23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur ta shihni sjelljen e veprat e tyre, do ta merrni vesh se nuk e bëra kot gjithë atë që e bëra në të, thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 15. Shëmbëlltyra me vreshtin

15

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, ç’vlerë më të madhe ka

druri i hardhisë se lëndët e tjera të pyllit?

3 Pse a përdoret druri i saj

për të gdhendur ndonjë gjë?

Ose a punohet prej saj ndonjë gozhdë

që të varet ndonjë gjë në të?

4 Ja, në zjarr hidhet që të digjet:

kur zjarri t’ia djegë dy skajet

edhe mesi t’i jetë shkrumbuar,

a thua atëherë vlen për punim?!

5 As kur ishte e tërë

prej saj gjë s’mundej të punohet;

aq më pak kur ta djegë, ta përpijë zjarri,

s’mund të punohet me të kurrgjë.

6 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

Porsi druri i hardhisë ndër lëndë të tjera të pyllit,

që në zjarr e hodha ta përpijë,

ashtu i hodha banorët e Jerusalemit!

7 Faqen time e solla kundër tyre!

Prej zjarrit ata kanë dalë,

prapë zjarri do t’i përpijë.

Do ta dini se unë jam Zoti,

kur të sillem kundër tyre,

8 kur mbarë vendin ta bëj të shkretë

pse s’ma ruajtën besnikërinë

‑ është fjala e Zotit Hyj.”

Ezekieli: 16. Historia simbolike e Izraelit

16

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, njoftoja Jerusalemit të gjitha turpësitë e tij! 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote nga toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite. 4 Ti kur linde, ditën e lindjes sate, nuk të qe prerë kërthiza, nuk të lanë në ujë për t’u pastruar as s’qe kripur me kripë as s’qe mbështjellë me shpërgënj. 5 Asnjë sy s’pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra, as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.

6 Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë ‑ po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto! 7 E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, arrite moshën e të përmuajshmeve. Parzmat e tua u ngufatën, flokët t’u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp. 8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre imja.

9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj. 10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t’i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh. 11 Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd. 12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde! 13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh shumëngjyrësh. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë. 14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë ‑ thotë Zoti Hyj.

15 Por ty t’i mori mendtë bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe lute me fëlligështinë tënde gjithkënd, të gjithë kalimtarët. 16 More petkat e tua dhe i stolise lartësitë lara‑lara ku ti lavirësoje ashtu si nuk ka ndodhur kurrë as s’do të ndodhë. 17 I more edhe stolitë e arta e të argjendta me të cilat unë të kisha stolisur e me to punove përfytyrimet e meshkujve dhe lavirësove me to. 18 More edhe petkat shumëngjyrëshe të tuat e me to i mbulove; vajin tim dhe kemin tim i kushtove para tyre. 19 Po edhe bukën time që ta dhashë, më të mirin miell, vaj e mjaltë, me të cilët të ushqeva, i kushtove përpara tyre në erë të erëndshme. Po, ashtu bëre! ‑ është fjala e Zotit Hyj.

20 Pastaj i more bijtë e bijat e tua, që m’i linde, dhe ua kushtove atyre që t’i përpijnë! A thua punë e vogël të duket fëlligështia jote? 21 I there bijtë e mi dhe ua dhe atyre si kusht! 22 E pas të gjitha këtyre turpësive e fëlligështive as ndër mend nuk të ranë ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq e të mbulonte turpi e zhgërryheshe në gjakun tënd!

23 Ja që, pas të gjithë kësaj paudhësisë sate, ‑ Vaj, vaj për ty! ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ 24 ti punove nga një shenjtërorëze e nga një lartësirë në çdo shesh. 25 Në çdo kryerrugë punove lter dhe e çnderove bukurinë tënde duke ua dhuruar trupin tënd secilit kalimtar dhe i shumëzove fëlligështitë e tua. 26 Bëre fëlligështi me bijtë e Egjiptit, fqinjët e tu gjymtyrëmëdhenj dhe i shumëzove fëlligështitë e tua për të më ngacmuar mua. 27 Ja, unë e lartësova dorën time mbi ty dhe ta mungova sasinë e ushqimit tënd, dhe të dhashë në dorë të atyre që të urrejnë ‑ bijave të palestinezëve që deri ato skuqen për sjelljen tënde të paturp.

28 Ti bëre fëlligështi me bijtë e asirianëve dhe nuk u ngive; edhe pasi bëre fëlligështi, prapë nuk u ngope. 29 Atëherë i shumëzove lavirësitë e tua deri edhe me njerëzit e tokës së kaldenjve tregtarë; por as kështu nuk u ngive.

30 Po me çka ta pastroj zemrën tënde ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kur i bën të gjitha këto vepra të një gruaje lavire të pafytyrë?! 31 Në çdo kryeudhë ia punove vetes shenjtërorëzen e në çdo shesh lartësirën; por jo porsi laviret e tjera, sepse ti e përbuze shpagimin. 32 Gruaja kurorëshkelëse në vend të burrit pranon një njeri tjetër. 33 Të gjitha lavireve u paguhet çmimi, kurse ti i paguaje dashnorët e tu dhe u jepje dhurata që të hynin te ti nga çdo anë për të bërë fëlligështi me ty. 34 Ti ishe lavire e pashoqe: ndodhi me ty çka s’ndodh me laviret e tjera: askush s’vrapoi pas teje për të bërë fëlligështi: me atë që ti jepje shpërblim e nuk merrje, kaq ti kishe rënë poshtë!

35 Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit: 36 Kështu thotë Zoti Hyj: Pse e shpërdorove pasurinë tënde, pse ua zbulove veten dashnorëve të tu në fëlligështitë e tua dhe idhujve të tu të urryeshëm, për gjakun e bijve të tu që ua kushtove idhujve, 37 ja, pra, unë do t’i bashkoj të gjithë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, të gjithë ata që i deshe së bashku me të gjithë ata që i urreve; prej ngado do t’i bashkoj të gjithë kundër teje, do ta qes në dritë turpësinë tënde ndër sy të tyre dhe do ta shikojnë të gjithë marren tënde. 38 Do të të gjykoj ashtu si gjykohen kurorëshkelëset e vrastaret: do të të lë në dorë të zemërimit e mendjes së zezë gjakësore. 39 Do të të lë në duar të tyre: do ta rrënojnë shenjtërorëzen tënde, do t’i rrafshojnë lartësirat e tua, ty do të të zhveshin nga petkat e tua, do t’i heqin stolitë e tua dhe do të të lënë lakuriq e të mbuluar me turp. 40 Rreth teje pastaj do të bashkojnë fundërrinën e njerëzve, do të të godasin me gurë e do të të grimcojnë me shpatat e veta. 41 Shtëpitë e tua do t’i djegin me zjarr e ty do të të dënojnë ndër sy të një shumice grash. Do të bëj të mos lavirësosh më e më të mos japësh dhurata për fëlligështi. 42 Në ty do ta shfryj zemërimin tim dhe do të më shkojë mendja e zezë për ty. Do të qetësohem e nuk do të zemërohem më. 43 Pasi nuk u kujtove për ditët e rinisë sate e me të gjitha këto më ngacmove, prandaj edhe vetë mbi kokën tënde do ta sjell sjelljen tënde ‑ thotë Zoti Hyj. Prapë, nuk u solla me ty sipas paudhësive të tua në të gjitha turpësitë e tua.

44 Ja, secili që në popull i përdor fjalët e urta do ta thotë këtë në lidhje me ty: ‘Si e ëma, ashtu e bija!’ 45 Bija e sat’ëme je ti, që e përbuzi burrin e vet e fëmijët e vet! Ti je motra e motrave të tua, që i përbuzën burrat e vet e fëmijët e vet! Nëna juaj qe hetite e babai juaj amorreas! 46 Motra jote e madhe Samaria, ajo e bijat e saja që banon në të majtën tënde. Motra jote, më e vogël se ti, që banon në të djathtën tënde, Sodoma e bijat e saj. 47 Por, mjerisht, as udhëve të tyre nuk ece, as s’i bëre vetëm paudhësitë e tyre: do të kishte qenë pothuajse pak, por ti bëre punë shumë më të këqija se ato në të gjithë sjelljen tënde! 48 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ nuk bëri Sodoma, motra jote e bijat e saja, siç bëre ti e bijat e tua! 49 Ja, cili qe faji i Sodomës, motrës sate: krenaria, mbushullim buke, papunësia e prunjtë si për të ashtu edhe për bijat e saj dhe nuk u ndihmonin nevojtarëve e skamnorëve: 50 u krenuan dhe bënë çka është e urryeshme para syve të mi dhe i çrrënjosa siç ke parë. 51 E Samaria nuk e bëri gjysmën e mëkateve të tua, por i tejkalove me kobësitë e tua motrat e tua dhe me të gjitha kobësitë e tua që i bëre, bëre të duken të drejta motrat e tua.

52 Prandaj merre mbi vete turpin e fajeve të tua me të cilat i bëre të shfajësuara motrat e tua, pasi mëkatove më kobësisht se ato: ato duken të shfajësuara krahasuar me ty. Prandaj, turpërohu dhe mbarte kobësinë tënde ti, që i shfajësove motrat e tua. 53 Unë do ta përmirësoj fatin e tyre. Fatin e Sodomës e të bijave të saj edhe fatin e Samarisë e të bijave të saj; edhe fatin tënd do ta ndërroj në mesin e tyre, 54 që ta mbartësh turpin tënd e të të vijë turp për çka ke bërë që t’i ngushëllosh. 55 Motra jote Sodoma e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre, Samaria e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

56 Pse a s’e vije në bisht të lahutës motrën tënde Sodomën në ditët e krenarisë sate 57 para se të zbulohej kobësia jote? Ti tani je bërë përqeshje për bijat e Sirisë e të gjithave përreth teje e të bijave të palestinezeve që të zgërdhihen përreth. 58 Mbaji, pra, turpësitë e tua e kobin tënd ti vetë ‑ është fjala e Zotit.

59 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen. 60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme. 61 Ti prej anës sate do t’i kujtosh udhët e tua e do të të vijë turp kur t’i marrësh motrat e tua ‑ më të mëdha e më të vogla ‑ e t’i jap për bija, por jo në fuqi të besëlidhjes sate. 62 Unë do të bëj besëlidhje me ty e do ta dish se unë jam Zoti, 63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çelësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë ‑ thotë Zoti Hyj.”

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, njoftoja Jerusalemit të gjitha turpësitë e tij! 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote nga toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite. 4 Ti kur linde, ditën e lindjes sate, nuk të qe prerë kërthiza, nuk të lanë në ujë për t’u pastruar as s’qe kripur me kripë as s’qe mbështjellë me shpërgënj. 5 Asnjë sy s’pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra, as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.

6 Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë ‑ po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto! 7 E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, arrite moshën e të përmuajshmeve. Parzmat e tua u ngufatën, flokët t’u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp. 8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre imja.

9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj. 10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t’i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh. 11 Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd. 12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde! 13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh shumëngjyrësh. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë. 14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë ‑ thotë Zoti Hyj.

15 Por ty t’i mori mendtë bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe lute me fëlligështinë tënde gjithkënd, të gjithë kalimtarët. 16 More petkat e tua dhe i stolise lartësitë lara‑lara ku ti lavirësoje ashtu si nuk ka ndodhur kurrë as s’do të ndodhë. 17 I more edhe stolitë e arta e të argjendta me të cilat unë të kisha stolisur e me to punove përfytyrimet e meshkujve dhe lavirësove me to. 18 More edhe petkat shumëngjyrëshe të tuat e me to i mbulove; vajin tim dhe kemin tim i kushtove para tyre. 19 Po edhe bukën time që ta dhashë, më të mirin miell, vaj e mjaltë, me të cilët të ushqeva, i kushtove përpara tyre në erë të erëndshme. Po, ashtu bëre! ‑ është fjala e Zotit Hyj.

20 Pastaj i more bijtë e bijat e tua, që m’i linde, dhe ua kushtove atyre që t’i përpijnë! A thua punë e vogël të duket fëlligështia jote? 21 I there bijtë e mi dhe ua dhe atyre si kusht! 22 E pas të gjitha këtyre turpësive e fëlligështive as ndër mend nuk të ranë ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq e të mbulonte turpi e zhgërryheshe në gjakun tënd!

23 Ja që, pas të gjithë kësaj paudhësisë sate, ‑ Vaj, vaj për ty! ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ 24 ti punove nga një shenjtërorëze e nga një lartësirë në çdo shesh. 25 Në çdo kryerrugë punove lter dhe e çnderove bukurinë tënde duke ua dhuruar trupin tënd secilit kalimtar dhe i shumëzove fëlligështitë e tua. 26 Bëre fëlligështi me bijtë e Egjiptit, fqinjët e tu gjymtyrëmëdhenj dhe i shumëzove fëlligështitë e tua për të më ngacmuar mua. 27 Ja, unë e lartësova dorën time mbi ty dhe ta mungova sasinë e ushqimit tënd, dhe të dhashë në dorë të atyre që të urrejnë ‑ bijave të palestinezëve që deri ato skuqen për sjelljen tënde të paturp.

28 Ti bëre fëlligështi me bijtë e asirianëve dhe nuk u ngive; edhe pasi bëre fëlligështi, prapë nuk u ngope. 29 Atëherë i shumëzove lavirësitë e tua deri edhe me njerëzit e tokës së kaldenjve tregtarë; por as kështu nuk u ngive.

30 Po me çka ta pastroj zemrën tënde ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kur i bën të gjitha këto vepra të një gruaje lavire të pafytyrë?! 31 Në çdo kryeudhë ia punove vetes shenjtërorëzen e në çdo shesh lartësirën; por jo porsi laviret e tjera, sepse ti e përbuze shpagimin. 32 Gruaja kurorëshkelëse në vend të burrit pranon një njeri tjetër. 33 Të gjitha lavireve u paguhet çmimi, kurse ti i paguaje dashnorët e tu dhe u jepje dhurata që të hynin te ti nga çdo anë për të bërë fëlligështi me ty. 34 Ti ishe lavire e pashoqe: ndodhi me ty çka s’ndodh me laviret e tjera: askush s’vrapoi pas teje për të bërë fëlligështi: me atë që ti jepje shpërblim e nuk merrje, kaq ti kishe rënë poshtë!

35 Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit: 36 Kështu thotë Zoti Hyj: Pse e shpërdorove pasurinë tënde, pse ua zbulove veten dashnorëve të tu në fëlligështitë e tua dhe idhujve të tu të urryeshëm, për gjakun e bijve të tu që ua kushtove idhujve, 37 ja, pra, unë do t’i bashkoj të gjithë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, të gjithë ata që i deshe së bashku me të gjithë ata që i urreve; prej ngado do t’i bashkoj të gjithë kundër teje, do ta qes në dritë turpësinë tënde ndër sy të tyre dhe do ta shikojnë të gjithë marren tënde. 38 Do të të gjykoj ashtu si gjykohen kurorëshkelëset e vrastaret: do të të lë në dorë të zemërimit e mendjes së zezë gjakësore. 39 Do të të lë në duar të tyre: do ta rrënojnë shenjtërorëzen tënde, do t’i rrafshojnë lartësirat e tua, ty do të të zhveshin nga petkat e tua, do t’i heqin stolitë e tua dhe do të të lënë lakuriq e të mbuluar me turp. 40 Rreth teje pastaj do të bashkojnë fundërrinën e njerëzve, do të të godasin me gurë e do të të grimcojnë me shpatat e veta. 41 Shtëpitë e tua do t’i djegin me zjarr e ty do të të dënojnë ndër sy të një shumice grash. Do të bëj të mos lavirësosh më e më të mos japësh dhurata për fëlligështi. 42 Në ty do ta shfryj zemërimin tim dhe do të më shkojë mendja e zezë për ty. Do të qetësohem e nuk do të zemërohem më. 43 Pasi nuk u kujtove për ditët e rinisë sate e me të gjitha këto më ngacmove, prandaj edhe vetë mbi kokën tënde do ta sjell sjelljen tënde ‑ thotë Zoti Hyj. Prapë, nuk u solla me ty sipas paudhësive të tua në të gjitha turpësitë e tua.

44 Ja, secili që në popull i përdor fjalët e urta do ta thotë këtë në lidhje me ty: ‘Si e ëma, ashtu e bija!’ 45 Bija e sat’ëme je ti, që e përbuzi burrin e vet e fëmijët e vet! Ti je motra e motrave të tua, që i përbuzën burrat e vet e fëmijët e vet! Nëna juaj qe hetite e babai juaj amorreas! 46 Motra jote e madhe Samaria, ajo e bijat e saja që banon në të majtën tënde. Motra jote, më e vogël se ti, që banon në të djathtën tënde, Sodoma e bijat e saj. 47 Por, mjerisht, as udhëve të tyre nuk ece, as s’i bëre vetëm paudhësitë e tyre: do të kishte qenë pothuajse pak, por ti bëre punë shumë më të këqija se ato në të gjithë sjelljen tënde! 48 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ nuk bëri Sodoma, motra jote e bijat e saja, siç bëre ti e bijat e tua! 49 Ja, cili qe faji i Sodomës, motrës sate: krenaria, mbushullim buke, papunësia e prunjtë si për të ashtu edhe për bijat e saj dhe nuk u ndihmonin nevojtarëve e skamnorëve: 50 u krenuan dhe bënë çka është e urryeshme para syve të mi dhe i çrrënjosa siç ke parë. 51 E Samaria nuk e bëri gjysmën e mëkateve të tua, por i tejkalove me kobësitë e tua motrat e tua dhe me të gjitha kobësitë e tua që i bëre, bëre të duken të drejta motrat e tua.

52 Prandaj merre mbi vete turpin e fajeve të tua me të cilat i bëre të shfajësuara motrat e tua, pasi mëkatove më kobësisht se ato: ato duken të shfajësuara krahasuar me ty. Prandaj, turpërohu dhe mbarte kobësinë tënde ti, që i shfajësove motrat e tua. 53 Unë do ta përmirësoj fatin e tyre. Fatin e Sodomës e të bijave të saj edhe fatin e Samarisë e të bijave të saj; edhe fatin tënd do ta ndërroj në mesin e tyre, 54 që ta mbartësh turpin tënd e të të vijë turp për çka ke bërë që t’i ngushëllosh. 55 Motra jote Sodoma e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre, Samaria e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

56 Pse a s’e vije në bisht të lahutës motrën tënde Sodomën në ditët e krenarisë sate 57 para se të zbulohej kobësia jote? Ti tani je bërë përqeshje për bijat e Sirisë e të gjithave përreth teje e të bijave të palestinezeve që të zgërdhihen përreth. 58 Mbaji, pra, turpësitë e tua e kobin tënd ti vetë ‑ është fjala e Zotit.

59 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen. 60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme. 61 Ti prej anës sate do t’i kujtosh udhët e tua e do të të vijë turp kur t’i marrësh motrat e tua ‑ më të mëdha e më të vogla ‑ e t’i jap për bija, por jo në fuqi të besëlidhjes sate. 62 Unë do të bëj besëlidhje me ty e do ta dish se unë jam Zoti, 63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çelësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 17. Shëmbëlltyra e shqiponjës

17

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 ”Biri i njeriut, gjeje një gjëegjëzë e tregoja shtëpisë së Izraelit një shëmbëlltyrë.

3 Thuaj:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Një shqiponjë e madhe,

me krahë të mëdhenj,

me pupla të gjata

me pendë të dendura

e shumëngjyrëshe

ia behu në Liban

dhe ia mori majën cedrit,

4 ia këputi gemin më të lartin

dhe e çoi në tokën Kanaan,

e vendosi në qytetin e tregtarëve.

5 Mori një pinjoll nga toka

dhe e qiti në tokë të punuar

përbri ujërave të shumta

e mbëltoi si shelgun

6 që të bulëzojë e të rritet

në hardhi që merr haptas,

jo shumë të lartë

që drejt shqiponjës gemat t’i shtrijë

e rrënjët t’i rriten nën të.

U bë trung i fortë,

i qiti pipat

gjatë i lëshoi pinjollat.

7 Ishte edhe një shqiponjë tjetër,

me krahë të mëdhenj,

me pupla të dendura:

dhe, ja, trungu

drejt saj i lëshoi rrënjët,

pipat drejt saj i lëshoi

që ta ujitë

më mirë se dheu ku ishte mbëltuar.

8 Në tokën e mirë,

bri ujërave të shumta

është e mbëltuar

që të lëshojë shermende

që të japë fruta

e të jetë hardhi madhështore.

9 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj:

A thua do të përparojë?

A thua shqiponja

rrënjët s’do t’ia nxjerrë

frutat s’do t’ia këpusë?

A s’do t’i thahen

posa t’i dalin pipat?

S’do të duhet një mund i madh

as popull i shumtë

rrënjët për t’ia nxjerrë!

10 Ja, e mbëltuar është:

a do të përparojë?

Vallë, a nuk do të thahet

posa ta ketë prekur

era përvëluese e lindjes?

Pikërisht në tokën ku mbiu

do të thahet!”

11 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 12 “Thuaji, pra, shtëpisë kryekëcyer: A nuk e kuptoni se ç’do të thotë kjo? Ja, erdhi mbreti i Babilonit në Jerusalem; e mori mbretin e princat e tij dhe i çoi te vetja në Babilon. 13 Mori njërin nga pinjollët e mbretit e lidhi me të besëlidhje, mori prej tij përbetimin pasi i mori të gjithë të vyerit e vendit, 14 me qëllim që mbretëria të jetë e ligshtë e të mos mund të çohet në kryengritje, por ta ruajë e ta mbajë besëlidhjen me të. 15 Porse ky u çua kundër tij, dërgoi lajmëtarë në Egjipt që t’i jepeshin kuaj e shumë ushtarë. A do të mund të përparojë ose të shpëtojë kush bën kështu? Kush e thyen besën, a thua mund të shpëtojë? 16 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ pse e theu përbetimin dhe e prishi besëlidhjen me mbretin që e vuri në fron, do të vdesë në vendin e mbretit, pikërisht në mes të Babilonit. 17 E faraoni, me gjithë ushtri të madhe e me popull të shumtë, s’do të mund t’i ndihmojë gjë në luftë, kur ai të lartësojë brigje e të punojë llogore për të vrarë njerëz të shumtë. 18 E bëri në asgjë përbetimin për ta zhbërë besëlidhjen. Po edhe pse e kishte dhënë besën, veproi kështu. Jo, assesi s’do të shpëtojë!

19 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasha jetën time: përbetimin që e përbuzi, besëlidhjen që e theu do t’ia kthej mbi kokën e tij, 20 do ta ngreh kundër tij rrjetën time e do të zihet në rrjetën time dhe do ta çoj në Babilon, atje do ta gjykoj për pabesinë me të cilën më doli i pabesë. 21 Të gjithë më të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës, kurse teprica do të shpërndahet në të gjitha erërat. Do ta dini se unë Zoti fola.

22 Kështu thotë Zoti Hyj:

Edhe unë do ta marr

prej majës së cedrit të madh

prej majës së gemave të tij

do ta këpus një gemëz

e do ta mbëltoj mbi një mal

të lartë e të madhërishëm.

23 Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit:

do të shpërthejë në pinjolla e do të bëjë fruta:

cedër do të jetë i madhërueshëm.

Nën të do të banojnë të gjithë shpendët,

çdo shpend nën hijen e gemave të tij

çerdhen do ta bëjë.

24 Të gjitha pemët e fushës do ta dinë

se unë jam Zoti

që e zvogëlon pemën e madhe

dhe e lartëson të voglën,

e thaj lëndën e njomë

dhe e bëj të bulëzojë të thatën.

Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.

Ezekieli: 18. Përgjegjësia vetjake

18

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Pse shkoni duke e përsëritur në tokën e Izraelit këtë thënie:

‘Etërit hëngrën rrushin e thartë

e të bijve u mpihen dhëmbët’?

3 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kurrë më s’do ta përsëritni këtë fjalë në Izrael! 4 Ja, çdo jetë është imja: si jeta e babait, ashtu edhe jeta e birit është imja, njeriu që do të mëkatojë, ai do të vdesë.

5 Njeriu që është i drejtë, që kryen drejtësinë e të drejtën, 6 që nuk ha në lartësi, që s’i lartëson sytë drejt idhujve të Izraelit, që nuk e çnderon gruan e të afërmit, që nuk i afrohet gruas në gjendjen e mujoreve të saj, 7 që nuk i bën dhunë njeriut, që ia kthen detorësit pengun, që nuk cubnon, që i jep bukë atij që s’ka, që e vesh të zhveshurin, 8 që s’huajon me ujem, që nuk kërkon shtesë, e ruan dorën nga paudhësia, pleqëron drejt ndërmjet njërit e tjetrit, 9 që ecën urdhërimeve të mia, që i mban gjyqet e mia për të bërë të vërtetën: ky është i drejtë dhe i tilli do të jetojë ‑ është fjala e Zotit Hyj.

10 Por në qoftë se i lind djali cub, vrastar, që bën ndonjë nga këto, 11 e i ati nuk i bën këto ‑ kurse i biri ha në lartësi, dhunon gruan e të afërmit, 12 keqtrajton nevojtarin e skamnorin, cubnon, nuk e kthen pengun, i lartëson sytë e vet drejt idhujve, bën turpësi, 13 huajon me ujem, merr shtesë, a thua do të jetojë? Jo, s’do të jetojë! Pasi i bën të gjitha këto poshtërsi, patjetër do të vdesë: gjaku i tij mbi të do të bjerë.

14 Por, në qoftë se i lind djali që i sheh të gjitha mëkatet që i ka bërë i ati, ka frikën e Zotit e nuk bën si ai, 15 nuk ha në lartësi, sytë e vet nuk i lartëson drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nuk e çnderon gruan e të afërmit të vet, 16 askënd nuk keqtrajton, nuk e ndalon pengun, nuk bën cubni, i jep bukën e vet të uriturit, të zhveshurin e vesh, 17 e ruan dorën e vet nga padrejtësia, s’huajon me ujem e me shtesë, i zbaton rregulloret e mia, ecën urdhërimeve të mia ‑ ky nuk do të vdesë për shkak të paudhësive të babait të vet, por do të jetojë. 18 Pasi i ati ka qenë i dhunshëm dhe cub dhe nuk ka bërë mirë në mes të popullit të vet, ja, vdiq në fajësinë e vet. 19 Ju thoni: ‘Pse s’u përgjigj i biri për fajin e të atit?’ Por biri ka zbatuar të drejtën e drejtësinë, i mbajti të gjitha urdhërimet e mia dhe të gjitha i bëri vepër, këndej edhe do të jetojë. 20 Ai që mëkaton do të vdesë: djali s’do të përgjigjet për fajet e të atit, as babai s’do të përgjigjet për fajet e të birit. Të drejtit do t’i takojë drejtësia e të paudhit paudhësia.

21 Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia, e bën të drejtën e drejtësinë, po, do të jetojë, nuk do të vdesë! 22 Asnjë prej mëkateve të tij që ka bërë nuk do t’i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që bën. 23 Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?

24 Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tij që i ka bërë, nuk do t’i merren parasysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë. 25 Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? 26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. 27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes: 28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë. 29 Thotë shtëpia e Izraelit: ‘S’është e drejtë mënyra e veprimit të Zotit’. A thua mënyra e sjelljes sime vërtet nuk qenka e drejtë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?

30 Prandaj, unë do t’ju gjykoj të gjithëve, secilin sipas mënyrës së veprimit të vet, o shtëpia e Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s’do të jetë më shkak për rënien tuaj. 31 Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj? Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!

Ezekieli: 19. Vajtim mbi princat e Izraelit

19

1 Nisja vajtimit mbi princat e Izraelit

2 e thuaj:

E kush ishte nëna jote?

Luaneshë mes luanësh!

Shtrirë në strofull ndër luan’zit

i ushqente k’lyshët e vet.

3 Prej luanzish luan’zësh njërin rriti:

u bë luan!

Mësoi të kapë prenë,

të përlajë njerëzit!

4 Kundër tij u bashkuan popujt,

u zu luani në grop’n e tyre:

të lidhur në pranga e çuan në Egjipt.

5 Kur pa e ëma se kot po priste

e se shpresa koti shkoi,

zgjodhi tjetrin prej luan’zve të vet

luan e bëri edhe atë.

6 Shkonte e vinte me luanë,

edhe ai luan u bë.

Mësoi të kapë prenë,

të përpijë njerëzit!

7 U rrënoi kullat

u shpartalloi qytetet:

u dridh vendi e gjithçka në të

nga zëri i ulërimës së tij!

8 Kundër tij u bashkuan gjindja

nga krahinat gjithkund përreth,

e i hodhën rrjetën:

u zu luani në grop’n e tyre.

9 Të lidhur e ndryen në kafaz,

ia çuan mbretit të Babilonisë.

Ai luanin në burg e qiti

që më zëri të mos i ndihet

nëpër bjeshkët e Izraelit.

10 Si hardhi ish’ nëna jote

e mbëltuar përmbi ujë,

shermendmadhe e plot me fruta

në saje të ujit me mbushullim.

11 Gemat iu bënë të fortë

u bënë për mbretër skeptra,

u lartësua trupi i saj

deri në re

e mrekullueshme për lartësi,

për shermendet e saj të shumtë!

12 Por e çrrënjosën me furi,

përtokë e flakën,

era përcëlluese ia thau frutat:

u bë copë edhe u tha

gemin e saj aq të fortë,

e përlau zjarri!

13 Qe mbëltuar në tokë të shkretë,

në tokë të thatë, të paujë.

14 Por doli zjarri nga gemi i saj

i dogj shermende e fruta.

Në të më s’ka gem të fortë,

për skeptrin mbretëror.”

Është ky një vajtim e për vajtim le të shërbejë!

Ezekieli: 20. Historia e pabesisë së Izraelit

20

1 Ndodhi që në të shtatin vit, në të pestin muaj, më dhjetë të muajit, erdhën disa nga pleqtë e Izraelit, për të kërkuar këshillë prej Zotit e u ulën tek unë. 2 Asohere më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 3 “Biri i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a erdhët për të më pyetur? Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ unë nuk do t’ju jap përgjigje. 4 A do t’i gjykosh? A do t’i gjykosh, biri i njeriut? Dëftoju poshtërsitë e etërve të tyre!

5 Thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur e zgjodha Izraelin, iu përbetova me dorë të lartësuar për farën e shtëpisë së Jakobit dhe iu dëftova në tokën e Egjiptit dhe atyre iu përbetova me dorë të lartësuar e u thashë: Unë jam Zoti, Hyji juaj. 6 Atë ditë edhe iu përbetova me dorë të lartësuar se do t’i nxjerr nga toka e Egjiptit në vendin që e kisha paraparë për ta, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë, që është më i bukuri ndër të gjitha vendet. 7 Atëherë u thashë: Secili le t’i flakë idhujt që i mban para sysh dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit: unë jam Zoti Hyji juaj.

8 Por ata më hidhëruan e nuk deshën të më dëgjojnë: askush nuk i hoqi neveritë që i mbante para syve të vet as s’i lanë idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta çoj në vend hidhërimin tim në tokën e Egjiptit. 9 Por, për shkak të emrit tim ‑ që të mos poshtërohej ndër sy të paganëve, në mesin e të cilëve banonin, ndër të cilët edhe u dëftova se do t’i nxjerr nga toka e Egjiptit.

10 Kështu, pra, i nxora nga toka e Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë. 11 U dhashë Ligjin tim dhe ua tregova rregulloret e mia që njeriu duhet t’i mbajë për të pasur jetën.

12 Për më tepër, ua dhashë edhe të shtunat e mia që të jenë shenjë ndërmjet meje e tyre e që ta dinë se unë jam Zoti që i shenjtëroj. 13 Por shtëpia e Izraelit u çua kundër meje në shkretëtirë: nuk ecën urdhërimeve të mia, rregulloret e mia që njeriu, nëse do të jetojë, duhet t’i mbajë, i flakën e të shtunat e mia i prishën vazhdimisht. Atëherë mendova ta zbraz në shkretëtirë mbi ta furinë time e t’i shfaros, 14 por veprova ndryshe për shkak të emrit tim që të mos poshtërohej ndër paganë prej të cilëve i nxora para syve të tyre. 15 Pastaj unë u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se s’do t’i shtie në tokën që ua dhurova, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, më i bukuri ndër të gjitha vendet, 16 sepse ata i kishin përbuzur gjyqet e mia e nuk kishin ecur urdhërimeve të mia, i kishin prishur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre ecte pas idhujve. 17 Por, syri im pati mëshirë për ta, nuk i vrava as nuk ua treta farën në shkretëtirë.

18 Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: Mos i ndiqni urdhërimet e etërve tuaj, mos i mbani zakonet e tyre as mos u ndotni me idhujt e tyre. 19 Unë jam Zoti Hyji juaj. Ecni urdhërimeve të mia, mbani e zbatoni gjyqet e mia, 20 shenjtëroni të shtunat e mia që të dihet se unë jam Zoti, Hyji juaj!

21 Por edhe të bijtë u çuan kundër meje: nuk ecën urdhërimeve të mia, nuk i mbajtën rregulloret e mia, që duhet të mbahen po qe se njeriu do të jetojë, e i prishën të shtunat e mia. Iu kërcënova se do ta zbrazja zemërimin tim mbi ta dhe se do ta çoja në vend në shkretëtirë hidhërimin tim kundër tyre. 22 Por, prapë e ndala dorën time, e këtë e bëra për nder të emrit tim që të mos poshtërohet para paganëve, prej të cilëve i nxora ndër sy të tyre. 23 Përsëri u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se do t’i shpërndaj ndër paganë e do t’i tres nëpër vende të ndryshme, 24 për arsye se s’i zbatonin ligjet e mia, pse i përbuznin urdhërimet e mia e pse i prishnin të shtunat e mia e sytë e tyre rrinin të ngulur në idhujt e etërve të tyre. 25 Atëherë, unë vetë, ua dhashë ligje jo të mira e zakone që kush i mban, nuk jeton; 26 e bëra të bëhen të papastër në kushtet e tyre, i bëra të flijojnë të gjithë të parëlindurit e tyre, për t’i tmerruar e që ta dinë se unë jam Zoti.

27 Për këtë arsye, foli shtëpisë së Izraelit, biri i njeriut, e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Madje edhe në këtë blasfemuan kundër meje etërit tuaj, sepse duke më përbuzur, më urryen. 28 Megjithatë, unë i futa në tokën, të cilën ua kisha premtuar me përbetim se do t’ua dhuroja. Ata panë çdo kodër të lartësuar e çdo pemë të gjelbër: aty kushtuan flitë e veta e paraqitën kushtet e veta ngacmuese; vinin erëra të erëndshme e njomnin njomjet e veta. 29 Atëherë u thashë: ‘Çka është kjo lartësirë në të cilën po ngjiteni?’ Kështu i mbeti emri Lartësirë’ deri në ditën e sotme.

30 Prandaj thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: E mirë, ju fëlliqeni sipas sjelljes së etërve tuaj, bëni lavirësi me turpësitë e tyre! 31 Kur ju sillnit dhuratat tuaja, kur i kalonit fëmijët tuaj nëpër zjarr, ju jeni të ndotur me të gjithë idhujt tuaj deri në ditën e sotme! E unë të lejoj të këshilloheni me mua, shtëpia e Izraelit?! Pasha jetën time ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ assesi s’do t’ju përgjigjem!

32 E as çka djerroni në zemrat tuaja nuk do të ndodhë! Ju mendoni: ‘Duam të jemi porsi paganët, porsi fiset e të tjera vendeve: do të adhurojmë dru e gur.’ 33 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krah të shtrirë me zemërim të ndezur flakë! 34 Unë do t’ju mbledh nga popujt e do t’ju bashkoj nga vendet ku jeni të shpërndarë, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me zemërim të ndezur flakë. 35 Do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve dhe atje faqe‑faqas do t’ju gjykoj! 36 Siç i gjykova etërit tuaj në shkretëtirën e Egjiptit, po ashtu do t’ju gjykoj edhe ju ‑ thotë Zoti Hyj. 37 Do t’ju bëj të kaloni nën shkopin tim e do t’ju lidh në hekurat e besëlidhjes! 38 Do t’i ndaj prej jush ata që iu shmangën ligjit e të paudhët: do t’i nxjerr nga vendi ku banojnë si të huaj, por në tokën e Izraelit s’do të hyjnë e do ta dini se unë jam Zoti. 39 Sa për ju, o shtëpia e Izraelit, kështu thotë Zoti Hyj: Ani shkoni e shërbejini secili idhullit të vet! Por do të vijë dita kur do të shohim palè a do të më dëgjoni! Atëherë s’do ta përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat tuaja e me idhujt tuaj! 40 Vërtet, në malin tim të shenjtë, në malin e lartë të Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj ‑ aty do të më shërbejë mbarë shtëpia e Izraelit: e tërë e bashkuar në vendin, në të cilin do të më pëlqejnë, po them; aty do t’i marr e do t’i pranoj dhuratat tuaja dhe kushtimin e fryteve tuaja të para, të të gjitha gjërave që do të kushtoni. 41 Do të më pëlqeni porsi era e erëndshme kur t’ju kem nxjerrë nga popujt e t’ju kem bashkuar nga vendet ku ju qetë shpërndarë. Përmes jush do t’ua dëftoj paganëve shenjtërinë time. 42 Do ta dini se unë jam Zoti, kur t’ju kem kthyer në tokën e Izraelit, në tokën, për të cilën u përbetova se do t’ua jap etërve tuaj. 43 Atje do t’ju bjerë ndërmend sjellja juaj e të gjitha veprat tuaja të këqija me të cilat e fëlliqët veten: vetvetja do t’ju ndyhet për shkak të të gjitha veprave tuaja të këqija që keni bërë. 44 E do ta dini se unë jam Zoti, kur t’ju bëj mirë për dashuri të emrit tim, e jo për shkak të sjelljes suaj të keqe, as për shkak të veprave tuaja tejet të ulta, shtëpia e Izraelit!” ‑ thotë Zoti Hyj.

Ezekieli: 21. Shpata e Zotit mbi Izraelin

21

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, sille fytyrën tënde drejt jugut, fol në drejtim të mesditës e profetizo kundër pyllit të fushës së Nagebit. 3 Thuaji pyllit të Nagebit: Dëgjoje fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë dua ta ndez një zjarr mes teje: do të digjet çdo dru i njomë dhe çdo dru i thatë. Flaka e zjarrit s’do të ndalet: do të digjet krejt sipërfaqja nga jugu deri në veri. 4 Do të shohë çdo njeri se unë, Zoti, e ndeza e nuk do të fiket.”

5 Unë thashë: “Eheu, Zot, Hyj! Po ata do të thonë për mua: ‘Ky po flet me shëmbëlltyrë!’”

6 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 7 ”Biri i njeriut, sille fytyrën tënde drejt Jerusalemit e fol kundër shenjtëroreve e profetizo kundër dheut të Izraelit. 8 Thuaji tokës së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ah pritëm, se e nxora shpatën time prej millit e do të vras në ty të drejtë e mëkatarë! 9 Kur them se i vrava në ty të drejtë e mëkatarë, do të thotë se do të nxirret shpata prej millit të vet për t’i zhdukur të gjithë të gjallët, prej jugut deri në veri, 10 që ta dijë çdo i gjallë se unë Zoti e nxora shpatën nga milli e aty më s’do ta kthej.

11 Ti, o biri i njeriut, gjëmo zemërplasur, gjëmo me hidhërim të madh ndër sy të tyre. 12 E kur të të pyesin: ‘Pse gjëmon?’, thuaj: Për shkak të lajmit që ka arritur, sepse do të dridhet çdo zemër, pa fuqi do të mbesin të gjitha duart, do të liget çdo shpirt e çdo gju do të gjunjëzohet! Ja, ia behu, këtu është! Fjala e Zotit Hyj!”

13 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 14 “Biri i njeriut, profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Thuaj:

Shpata, Shpata!

Është mprehur e lëmuar!

15 U mpreh për t’i prerë njerëzit,

u lëmua për të vezëlluar!

16 Qe lehtësuar

që të mbahet me dorë.

U mpreh e u limua shpata

që të jetë në dorë të vrastarit.

17 Klith e ulërit, biri i njeriut,

se është drejtuar kundër popullit tim,

kundër princave të Izraelit,

për shpatë u gjykuan bashkë me popullin tim.

18 Prandaj rrahe me grushte parzmën

se ia behu prova,

thotë Zoti Hyj.

19 Ti, pra, biri i njeriut,

profetizo e rrah shuplakë për shuplakë.

Le të dyfishohet shpata,

le të trefishohet shpata e vrastarëve:

është shpata që bën emnesë,

që i rrethon në çdo anë,

20 që zemrat të shkrihen,

e të shumohen të vrarët.

Në çdo derë vuri një shpatë:

heu, u mprehën, u limuan për të vezëlluar,

të limuara për të bërë emnesë!

21 ‘Mprehe, sulu djathtas, majtas,

kudo tehu i shpatës le të drejtohet!’

22 Edhe vetë do të duartrokas,

do ta ngop zemërimin tim!

Thashë unë, Zoti!”

Mbreti i Babilonit në rrugëkryq

23 Më qe drejtuar fjala e Zotit. Më tha: 24 ”E ti, biri i njeriut, vizatoji dy udhë për kalimin e shpatës së mbretit të Babilonit. Të dy udhët le të dalin nga e njëjta tokë. Vëre shenjën udhërrëfyese në krye të rrugës që shpie në qytet! 25 Vizatoja rrugën e kalimit të shpatës drejt Rabatit të bijve të Amonit dhe drejt në Judë në Jerusalemin e fortifikuar. 26 Sepse mbreti i Babilonit ka zënë vend në udhëkryq, në krye të dy udhëve, kërkon dijetarinë, përzin shigjetat, pyet terafimët, këshillon mëlçinë. 27 Në të djathtën e tij shorti ka rënë mbi Jerusalem: për t’i vënë kundër tij deshtë, të urdhërojë shfarosjen, për të klithur ulërimat e luftës, për t’i vendosur deshtë kundër dyerve, për të ngritur pritën, për të ndërtuar llogoret. 28 Por atyre do t’u duket se shenjat janë të rreme, sepse iu përbetuan për besnikëri. Por ai do t’i përkujtojë për pabesinë në të cilën u zunë. 29 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi ju bëtë që të kujtohet paudhëria juaj dhe u zbuluan mëkatet tuaja dhe dolën në shesh pabesitë tuaja në të gjitha veprimet tuaja; pasi, po them, vazhdoni t’i përkujtoni, me dorë do të kapeni.

30 Kurse ty, o i çshuguruar, prijës i patenzonë i Izraelit, të cilit i erdhi dita t’i marrë fund paudhësia, ‑ 31 kështu të thotë Zoti Hyj ‑ le të të hiqet tiara, le të të merret keza: gjithçka do të ndërrojë, çka është e ulët, do të ngrihet e çka është e lartë, do të ulet. 32 Rrënime, rrënime, rrënime, ja se çka do të bëj unë: të tilla rrënime s’do ketë derisa të vijë ai, të cilit i përket gjyqi e të cilit do t’ia lë në dorë.”

Ndëshkimi i Amonit

33 “Ti, biri i njeriut, profetizo e thuaj: Kështu u thotë Zoti Hyj bijve të Amonit për turpin e tyre: Thuaj: Shpata, shpata është nxjerrë për të vrarë, lëmuar për të zhdukur, pret e vezëllon! 34 E ty ndërkaq të parashohin kotësi e të parakallëzojnë rrena që t’u vihet shpata në fyt të çshuguruarve të patenzonë, të cilëve u erdhi dita e paudhësisë së fundit. 35 Le të kthehet shpata në mill! Në vendin ku qe krijuar, në tokën ku ke lindur, atje do të të gjykoj. 36 Do ta zbraz mbi ty zemërimin tim e do t’i fryj flakës së zemërimit tim kundër teje. Do të të lë në duar të njerëzve të pashpirtë mjeshtër vrasjesh! 37 Shujtë do të bëhesh për zjarr e gjaku yt do të rrjedhë për tokë. Do të biesh në harresë, sepse fola unë, Zoti.”

Ezekieli: 22. Fajet e Jerusalemit

22

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “E ti, biri i njeriut, a do ta gjykosh, vallë, a do ta gjykosh qytetin gjakatar? 3 Dëftoja të gjitha poshtërsitë e tij dhe thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Qytet që derdh gjak në mesin tënd, për të bërë që të vijë dita, qytet që ka ndërtuar idhuj në tokën tënde për t’u fëlliqur! 4 Me gjakun që derdhe u bëre fajtor, u fëlliqe me idhujt që ti i punove: bëre që të afrohen ditët e tua dhe bëre të marrin fund vitet e tua. Për këtë arsye të bëra turpin e paganëve e përqeshjen e të gjtha vendeve. 5 Të afërmit e të largëtit do të ngadhënjejnë mbi ty, qytet i përmendur për ndotje, i madh për kryeneçësi! 6 Ja, të gjithë princat e Izraelit ‑ secili në dorën e vet ‑ ndenjën gati për të derdhur gjak! 7 Në ty nënë e babë janë të përbuzur, në mesin tënd ndrydhet ardhacaku, bonjak e vejushë në ty merren nëpër këmbë! 8 S’ke nderim për gjërat e mia të shenjta, të shtunat e mia i prish! 9 Në ty ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, në ty hanë në lartësi, në mesin tënd bëhen turpësi! 10 Në ty zbulohet lakuriqësia e babait, në ty dhunohen gratë në gjendje të papastër! 11 Njëri bën fëlligështi me gruan e të afërmit të vet, një tjetër me vepër të turpshme e çnderon të renë; vëllai motrën, bijën e babait të vet, e dhunon në ty! 12 Në ty vrasin njerëz me para! Ti huajon me ujem e me shtesë, me dhunë e plaçkit të afërmin tënd e mua më harron ‑ thotë Zoti Hyj.

13 Ja, unë i rrah shuplakat për shkak të cubnive që ti i bëre e për shkak të gjakut që në ty u derdh. 14 A do të qëndrojë zemra jote e a do të mund të bëjnë ballë duart e tua në ditët që unë po i bëj gati për ty? Fola unë Zoti e do të bëj: 15 do të të shpërngul ndër paganë, do të të tres në toka të huaja që ta heq prej teje të gjithë papastërtinë; 16 në ty do ta çnderoj vetveten në sy të paganëve e atëherë do ta dish se unë jam Zoti.”

17 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 18 “Biri i njeriut, shtëpia e Izraelit m’u kthye në bramcë: të gjithë këta: argjend, bakër, kallaj, hekur e plumb në furrë ‑ janë zgjyrë! 19 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të gjithë jeni bërë bramcë, këndej edhe vetë do t’ju bashkoj në Jerusalem, 20 ashtu siç mblidhet argjendi, bakri, hekuri, plumbi e kallaji në furrë e ndizet zjarri për shkrirje: kështu edhe vetë do t’ju bashkoj në zemërimin tim e në zemërimin tim do t’ju hedh e do t’ju shkrij. 21 Do t’ju bashkoj e do t’ju djeg në zjarrin e zemërimit tim dhe do të shkriheni mes tij! 22 Sikurse shkrihet argjendi në furrë, po ashtu do të shkriheni mes tij. Atëherë do ta dini se unë Zoti e zbraza hidhërimin tim mbi ju.”

23 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 24 “Biri i njeriut, thuaj: Ti je një vend, mbi të cilin nuk ra shi as breshër në ditën e zemërimit, 25 princat e të cilit janë në ty porsi luani ulëritës që shqyen prenë. Ata i kanë përpirë gjinden, u rrëmbyen pasuri e gjëra të çmueshme, në mesin tënd i shumuan vejushat! 26 Priftërinjtë e tu e kanë prishur Ligjin tim dhe i dhunuan shenjtëroret e mia. Ndërmjet gjësë së shenjtë e jo të shenjtë nuk bënë dallim dhe nuk mësuan të bëhet dallim mes së pastërtës e të papastërtës, të shtunat e mia as s’i shikuan me sy dhe unë isha i çnderuar në mesin e tyre. 27 Prijësit e tij në mesin e qytetit, porsi ujqër grabitqarë présh për të derdhur gjak, për të vrarë njerëz, të dhënë pas plaçkës. 28 Profetët e tij ua zbardhnin të gjitha me gëlqere duke u parakallëzuar kotësi e paraparë rrena, thonin: ‘Kështu thotë Zoti Hyj’, kur Zoti nuk kishte folur! 29 Populli i vendit e ka shtuar dhunën e cubninë, skamnorin e të vobektin e shtypte e ardhacakun e ndrydhte pa farë arsyeje. 30 E kërkova ndër ta një njeri, i cili do ta ndërtonte një pritë ndërmjet meje e tij e të dilte përpara meje në grykë për të mirën e vendit që unë të mos e shpartalloja, por nuk e gjeta. 31 Atëherë e zbraza mbi të zemërimin tim, i zhduka me zjarrin e zemërimit tim. Bëra që sjellja e tyre të bjerë mbi kokën e tyre ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 23. Historia e Jerusalemit dhe e Samarisë në përfytyrim

23

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, na kishin qenë dikur dy gra, bijat e së njëjtës nënë. 3 Ato u lavirësuan në Egjipt që në rininë e tyre. Atje u vu së pari dora në parzmat e tyre, atje u përkëdhelën gjinjtë e virgjërisë së tyre. 4 Emrat i kishin: Oolë e madhja e Oolibë motra e saj. I pata të dyja dhe lindën bij e bija. Oola është Samaria e Ooliba Jerusalemi.

5 Oola ma prishi besnikërinë e u largua prej meje: luajti mendsh pas dashnorëve të vet, asirianëve, luftëtarë 6 të veshur me purpur, prijës e qeveritarë, të gjithë djelmosha të hijshëm, kalorës të shkëlqyeshëm. 7 Ua dha trupin e vet të gjithë djemve të asirianëve më të zgjedhur. Në takim me ata pas të cilëve u dha në fëlligështi, u ndot me të gjithë idhujt e tyre. 8 Për më tepër ajo nuk i la as fëlligështitë që i kishte pasur në Egjipt, kur ata kishin bërë shtrat me të në rininë e saj, përkëdhelur gjinjtë e virgjërisë së saj dhe shfryer epshin e vet mbi të. 9 Këndej edhe e lashë në duart e dashnorëve të saj, në duart e bijve të asirianëve, pas të cilëve ishte ndezur në epsh. 10 Ata ia zbuluan lakuriqësinë e saj, bijtë e bijat e saj i robëruan e atë e prenë me shpatë. U bë kështu një qortim për gra në saje të dënimit shembullor që kryen mbi të.

11 Motra e saj Ooliba i pa të gjitha këto, por luajti mendsh edhe më zi se ajo: me epsh e fëlligështi e tejkaloi motrën e vet. 12 U dogj në dashuri ndaj bijve të asirianëve: prijës e qeveritarë, luftëtarë të veshur me petka të çmueshme, kalorës në kuaj shale, të gjithë djelmosha të lakmueshëm. 13 Pashë se ishte ndotur: të dyja morën të njëjtën udhë. 14 Por kjo e tejkaloi në fëlligështi. Kur i pa meshkujt e pikturuar në mur, fytyra kaldenjsh të pikturuara me ngjyrë të kuqe, 15 të ngjeshur ijësh me breza, shallat rreth kokës e të varur, të gjithë në pamje luftëtarë në karroca, marrëshevush si djemtë e Babilonit, atdheu i të cilëve është Kaldeja, 16 u ndez në epsh posa i pa dhe dërgoi lajmëtarë tek ata në Kalde. 17 Babilonezët shkuan tek ajo në shtratin e dashnorisë, e ndotën me mëkatin e ndytë; fëlligështoi me ta derisa iu neverit vetvetja. 18 Pasi mëkatoi botërisht dhe e zbuloi vetveten, edhe vetë u largova prej saj, siç isha larguar prej motrës së saj. 19 Por ajo vazhdoi të bëjë lavirësi duke e përkujtuar kohën e rinisë së vet, kur qe dhënë pas fëlligështisë në tokën e Egjiptit. 20 U përvëlua në epsh pas atyre dashnorëve të vet të fëlliqtë si gomari e të dhënë pas epshit si hamshori. 21 Dëshirove bushtërinë e rinisë sate, kohën në Egjipt, kur ta shtrydhnin parzmën e t’i përkëdhelnin gjinjtë e virgjërisë!

22 Prandaj, o Oolibë, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i dërgoj kundër teje dashnorët e tu, të cilët më nuk t’i do shpirti, do t’i mbledh gjithkund përreth kundër teje, 23 babilonasit e mbarë kaldenjtë, bijtë e Fakudit, të Suehit, të Kuehit, të gjithë asirianët bashkë me ta, të rinj e të lakmueshëm, të gjithë prijës e qeveritarë, luftëtarë të përmendur në karroca e kalorës. 24 Do të vijnë kundër teje me qerre e me koçi, me shumicë popujsh; të armatosur kundër teje në çdo anë me shqyt, me mburojëza, me përkrenare. Në dorë të tyre e kam lënë gjyqin, do të të gjykojnë sipas të drejtës së tyre. 25 Do ta zbraz mendjen e zezë timen kundër teje e ata do ta ushtrojnë me furi kundër teje: do të t’i presin hundë e veshë e, sa të mbesë prej teje, me shpatë do ta grimcojnë; robër do t’i marrin bijtë e bijat e tua e, çka të teprojë prej teje, do ta përlajë zjarri. 26 Do t’i zhveshin petkat e tua e do t’i marrin stolitë e tua. 27 Do të bëj të marrë fund paudhësia jote dhe fëlligështia jote që nisi në Egjipt; s’do t’i lartësosh më sytë e tu drejt tyre e Egjipti as që do të të bjerë ndër mend. 28 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do të të lë në dorën e atyre që i urren, në dorën e atyre që shpirti t’i urren. 29 Ata do të sillen ndaj teje me urrejtje, do ta rrëmbejnë frytin e mundit tënd, do të të nisin lakuriq e plot me turp. Kështu do të dalë në dritë turpi i lavirësive të tua, fajësia dhe fëlligështitë e tua. 30 Kështu do ta bëjnë për shkak të fëlligështisë sate me paganë e pse je ndotur me idhujt e tyre. 31 Ece udhës së motrës sate: kupën e saj do ta vë në dorën tënde. 32 Kështu thotë Zoti Hyj:

“Do ta pish gotën e motrës sate,

të thellë e të gjerë

‑do të jesh përqeshje e qesëndi ‑

gota është plotë e përplot!

33 Me dehje e dhimbje do të mbushesh,

me kupën e frikës e të tmerrit,

me kupën e motrës sate Samarisë.

34 Do ta pish,

edhe fundërrinat do t’i shkundësh

grimcat me dhëmbë do t’ia bresh,

parzmat e tua do t’i copëtosh.

Sepse unë fola kështu ‑

thotë Zoti Hyj.”

35 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: “Pasi ti më harrove e ma solle shpinën, mbarte tashti çnderimin tënd e lavirësinë tënde!”

36 Atëherë Zoti më tha: “Biri i njeriut, a do t’i gjykosh Oolën e Oolibën? Dëftoju poshtërsitë e tyre! 37 Bënë kurorëshkelje, duart i kanë të përlyera me gjak, bënë kurorëshkelje me idhuj; madje edhe bijtë që m’i patën lindur, i kaluan nëpër zjarr për t’ua dhënë për ushqim. 38 Por ata ma bënë edhe këtë: ato ma përdhunuan atë ditë edhe Shenjtëroren time e i çshenjtëruan të shtunat e mia. 39 E megjithëse i flijuan fëmijët e vet idhujve të vet, ato, po atë ditë, shkuan në Shenjtëroren time për ta përdhunuar. Ja se çfarë bënë në Shtëpinë time!

40 Madje edhe më zi: dërguan thirrësin të vijnë meshkuj prej së largu e ata erdhën. Për ta ti u lave, sytë e tu i zbukurove me ngjyrë, u stolise me argjende. 41 U shtrive në shtrat tejet të bukur e tryeza ishte e stolisur para teje e mbi të vure kemin tim e vajin tim. 42 Te ti dëgjohej zëri i një shumice të hareshme prej njerëzve të shumtë të sjellë nga shkretëtira. Ata vunë në duar të grave byzylykë dhe keza të bukura mbi kokat e tyre. 43 Unë mendova për të ‑ grua e dhënë pas fëlligështisë: Tashti edhe kjo do të fëlliqet në fëlligështinë e vet! 44 E hynë tek ajo ashtu si hyhet te një lavire. Kështu hynin tek Oola e tek Ooliba, gra të pandershme. 45 Pra, ka njerëz të drejtë: këta do t’i gjykojnë me gjyqin që u takon kurorëshkelëseve e me gjyq që u përket atyre që derdhin gjak, sepse këto janë kurorëshkelëse dhe duart e tyre kullojnë gjak.”

46 Sepse kështu thotë Zoti: “Thirre mbledhjen kundër tyre, le të merren me të keq e le të plaçkiten, 47 bashkësia pastaj le t’i vrasë me gurë e le t’i therë me shpata. Le t’u vrasin bij e bija e shtëpitë e tyre le t’i djegë zjarri.

48 Kështu do ta pastroj vendin nga poshtërsitë e të gjitha gratë le të mësojnë të mos e përsërisin fajin tuaj. 49 Poshtërsia juaj do të bjerë mbi ju, ju do të përgjigjeni për fajet e idhujve tuaj e kështu do ta dini se unë jam Zoti, Hyji.”

Ezekieli: 24. Lajmërim për rrethimin e Jerusalemit

24

1 Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, të dhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: Më tha: 2 “Biri i njeriut, shënoje me shkrim datën e ditës së sotme, sepse pikërisht sot mbreti i Babilonit do ta sulmojë Jerusalemin.

3 Thuaji kësaj shtëpie kryekëcyer një fjalë në shëmbëlltyrë. Thuaju:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Vëre në zjarr kusinë,

vëre ‑ të them

e në të hidh ujë!

4 Hidh në të copa mishi,

pjesët më të mira kofshë e shpatull;

mbushe me eshtra të zgjedhur.

5 Merre më të mirën prej grigjës.

Dhe nën të shtjer mjaft dru

le të vlojë fort e për një kohë të gjatë

e të zihen edhe eshtrat në të!

6 Sepse Zoti Hyj thotë kështu:

Mjerë qyteti gjakatar,

mjerë kusia që është ndryshkur

ndryshku i së cilës nuk i hiqet!

Copë nga një copë prej saj nxirri

por mbi të short mos hidh,

7 sepse gjakun e ka brenda,

e zbrazi mbi shkëmb të lëmuar,

nuk e zbrazi përmbi tokë

që me pluhur të mund të mbulohej.

8 Që në mua të ndizej zemërimi,

që të hakmerrem,

gjakun ia derdha në shkëmb të lëmuar

që të mos mb’lohet.

9 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

Mjerë qyteti gjakatar,

për të cilin do të ndez zjarr të madh.

10 Bashko dru, ndize zjarrin,

zije mishin derisa të shkrihet,

shteri lëngun

deri edhe eshtrat të digjen!

11 Kusinë lëre zbrazët mbi prush,

që të nxehet e bakri të skuqet,

le të shkrihet ndotësia e saj

le të zhduket ndryshku që ka.

12 Ç’mund i madh!

Porse ndryshku i shumtë i saj

jo s’do të hiqet,

as zjarri nuk ia heq dot!

13 Mëkati yt është i tmerrshëm! Desha të të pastroj, por s’u pastrove nga ndyrësitë e tua! Por as nuk do të pastrohesh para se unë ta kem zbrazur kundër teje krejt zemërimit tim! 14 Unë, Zoti, fola e fjalën time do ta çoj në vend: s’do të përdëllej as s’do të fal as s’do të pajtohem. Do të të gjykoj sipas sjelljes sate e sipas veprave të tua ‑ thotë Zoti.”

Vuajtjet vetjake të profetit

15 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 16 “Biri i njeriut, ja, unë po ta marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot! 17 Dënes në heshtje, mos bëj gjëmë si bëhet zakonisht për të vdekur. Shallmin mbaje lidhur rreth kreje, mbathi këmbët e tua, mos e lidh gojën me rubë dhe mos ha drekë.”

18 Në mëngjes i kisha folur popullit e në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes bëra si më kishte qenë urdhëruar.

19 Populli më pyeti: “Pse nuk na tregon çfarë do të thotë kjo që po bën?” 20 Unë iu përgjigja: “Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 21 Thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do ta përdhunoj Shenjtëroren time, mburrjen tuaj të madhe, kënaqësinë e syve tuaj, dëshirën e shpirtit tuaj. Bijtë tuaj e bijat që i keni lënë do të bien prej shpatës. 22 Bëni siç bëra unë: mos e mbuloni gojën me rubë e mos e hani bukën e vajtorëve, 23 lidhni shallmet rreth kresë, mbathni sandalet në këmbë, mos u pikëlloni as mos qani, por cijzni për shkak të fajeve tuaja e secili njëri pas tjetrit le të dënesë. 24 Ezekieli le t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai kur do të ndodhë kjo e do ta dini se unë jam Zoti Hyj.

25 E ti, biri i njeriut, ja, atë ditë, kur t’ua marr atyre fuqinë, shpatën e madhërisë, kënaqësinë e syve të tyre, gëzimin e shpirtit të tyre ‑ bij e bija, 26 ditën që të vijë te ti një i ikur e të të lajmërojë, 27 pikërisht atë ditë, po them, do të të çelet goja e ti do të bisedosh me atë të ikur, do të flasësh e më s’do të jesh memec: do të jesh shenjë. Njerëzit do ta marrin vesh se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 25. Kundër amonitëve

25

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zoti:

2 ”Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah amonitët e parafol kundër tyre. 3 Thuaju bijve të Amonit: Dëgjojeni fjalën e Zotit Hyj!

Kështu thotë Zoti Hyj: Pse thatë ‘Mirë e ka!’ për Shenjtëroren time, pse e çnderuan e për tokën e Izraelit, pse e shkretuan e për shtëpinë e Judës, pse i morën skllevër, 4 për këtë arsye unë do të të dorëzoj bijve të lindjes për pronë. Në ty do t’i ngulin banishtat dhe çadrat e veta: ata do t’i hanë frytet e prodhimeve të tua e do ta pinë qumështin tënd. 5 Rabatin do ta bëj kullotë gamilesh e tokën e bijve të Amonit vathë bagëtish e do ta dini se unë jam Zoti.

6 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pse duartrokite, pse rrahe me këmbë e pse me gjithë shpirt u kënaqe në lidhje me tokën e Izraelit, 7 këndej edhe vetë do ta çoj dorën time kundër teje, do të të bëj pre popujsh, do të ta tres farën ndër popuj, do të të zhduk nga gjiri i popujve, do të të zhduk krejtësisht e atëherë do të shohësh se unë jam Zoti.”

Kundër Moabit

8 Kështu thotë Zoti Hyj:

“Pasi Moabi e Seiri thanë: ‘Ja, pra, shtëpia e Izraelit është si të gjithë popujt’, 9 e mirë, unë do t’ia hap ijën Moabit, unë do ta lë pa qytetet, pa qytete po them të tij në mbarë vendin e tij, që janë stolia e vendit: pa Betiesimotin, pa Baalmeonin, pa Kariataimin. 10 Do ta lë në duar të bijve të Lindjes për pronë së bashku me amonitët, që bijtë e Amonit të mos përmenden më ndër popuj. 11 Kështu do ta kryej gjyqin mbi Moabin e do ta dinë se unë jam Zoti.”

Kundër edomitëve

12 Kështu thotë Zoti Hyj:

“Pasi Idumeja u hakmor kundër shtëpisë së Judës e me këtë hakmarrje mëkatoi rëndë duke kërkuar prej tyre hakmarrje, 13 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Do ta shtrij dorën time kundër Idumesë dhe do të zhduk prej saj njerëz e kafshë. Do ta kthej në shkretëtirë: nga Temani deri në Dedan të gjithë do të bien nga shpata. 14 Kështu do të hakmerrem mbi Idumenë me anë të dorës së popullit tim Izraelit. Ata do të sillen me Edomin sipas furisë e zemërimit tim e do ta njohin hakmarrjen time ‑ thotë Zoti Hyj.”

Kundër filistenjve

15 Kështu thotë Zoti Hyj:

“Pasi filistinët vepruan me hakmarrje dhe u hakmorën me tërbim duke vrarë dhe e çuan në vend armiqësinë e përhershme, 16 prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e çoj dorën time kundër palestinezëve: do t’i vras ceretenjtë, do t’i zhduk të gjitha tepricat e bregut të detit! 17 Kështu do të bëj kundër tyre një hakmarrje emnesë duke i ndëshkuar me tërbim e, kur ta kem kryer hakmarrjen time, atëherë do ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 26. Kundër Tirit

26

1 Të njëmbëdhjetin vit, të parën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, pasi Tiri tha kundër

Jerusalemit:

Ah sa mirë! U thye dera e popujve,

u kthye kah unë,

tani do të pasurohem;

ai u shkretua ‑

3 prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, në shpinë më ke, o Tir,

kundër teje po nis popuj të shumtë,

siç tërbohet deti me valë të veta!

4 Do t’i rrafshojnë muret e Tirit

e do t’i shembin kullat e tij,

pluhurin e tij do ta zhduk

do ta bëj rrasë të lëmuar!

5 Vend për terje rrjetash

në det do ta bëj,

sepse kështu thashë unë ‑

thotë Zoti Hyj!

Pre popujsh do të jetë!

6 Edhe bijat e tij që janë në fushë,

me shpatë do të priten

e do ta dinë se unë jam Zoti.

7 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, unë po e nis kundër Tirit

Nabukodonozorin,

mbretin e Babilonit,

nga Veriu ‑ mbretin e mbretërve,

me kuaj e me karroca lufte,

me kalorës, me ushtri të madhe,

me popull të panumërt.

8 Bijat e tua që janë në fushë

do t’i presë me shpatë,

kurse ty do të të rrethojë me llogore,

rreth e rreth penda do të ngrehë,

kundër teje do të ngrehë mburojat!

9 Tënda deshësh do t’u mbështesë mureve,

pirgjet e tua do t’i shkatërrojë

me vegla lufte të veta!

10 Prej vërshimit të kuajve të tij

do të të mbulojë anembanë pluhuri!

Nga rropama e kujave e të qerreve

do të dridhen muret e tua,

kur të përshkohet nëpër dyer të tua,

si hyhet në qytet të rrafshuar!

11 Me thundra të kuajve të vet

do t’i shkelë mbarë rrugët e tua,

popullin do ta presë me shpatë,

shtyllat e tua do t’i shembë përdhe.

12 Pasurinë do të ta rrëmbejnë,

mallrat e tua do t’i plaçkisin,

muret e tua do t’i rrafshojnë,

do t’i rrënojnë shtëpitë e buk’ra,

gurë e lëndë e pluhurin tënd

në mes të detit do t’i hedhin!

13 Do të bëj të mejë tingulli i këngëve të tua,

do të pushojë zëri i cetrave të tua!

14 Do të të shndërroj në shkëmb të thatë,

do të jesh vend ku thahen rrjetat,

kurrë më kokën s’do ta çosh,

sepse unë, Zoti, thashë!”

‑ thotë Zoti Hyj.

15 Kështu i thotë Zoti Hyj Tirit: Vallë, nga rropama e rënies sate e nga gjëma e të plagosurve të tu, kur do të bëhet një emnesë në ty, a nuk do të dridhen edhe ishujt? 16 Të gjithë prijësit e detit do të zbresin nga fronet e veta, do t’i hedhin leshnikët e vet e do t’i flakin teshat e veta të larmishme, do të vishen me tmerr, do të ulen për rrafshit, shtang do të mbesin prej habie mbi ty. 17 Do të fillojnë të vajtojnë mbi ty e do të thonë:

“Po si humbe kështu,

ti që banoje në det,

qytet i përmendur,

që ishe i fortë në det,

bashkë me banorët e tu

që të gjithë frikë të kishin!

18 Tashti do të çuditen anijet

ditën e rrënimit tënd,

ishujt e detit do të tmerrohen

për shkak të mbarimit tënd!”

19 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:

Kur të të bëj qytet të shkretë, porsi qytetet në të cilat askush s’banon, e kur mbi ty të sjell Humnerën e të të kenë mbuluar ujërat e shumta, 20 do të të zbres edhe ty me ata që zbresin në Nëntokë, te populli i vjetër e do të të vendos në pjesët më të thella të tokës, në vende të shkretuara me shekuj, së bashku me ata që zbresin në Nëntokë, që kurrë më të mos banohesh, më s’do të jesh në tokën e të gjallëve. 21 Do të të kthej në asgjë, më s’do të jesh, edhe nëse do të të kërkojnë, kurrë më nuk do të të gjejnë ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 27. Vajtim mbi rrënimin e Tirit

27

1 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit:

2 “Ti, pra, biri i njeriut, nisja vajtimit mbi Tirin, 3 dhe thuaj kundër Tirit që banon në hyrje të detit, që tregton me popujt e ishujve të panumërt: Kështu thotë Zoti Hyj:

O Tir, ti që thoshe:

‘Jam i përsosur në pashi!’

4 Kufijtë e tu në zemër të detit arrijnë,

ndërtuesit e tu me përpikëri të stolisën!

5 Bredhi Saniri t’i punuan

të gjitha brinjat,

cedër Libani të sollën

për ta ndërtuar direkun,

6 lis Basani

t’i punuan rremat,

ndenjëset e tua prej fildishi

të larzuara me qiparis Cetimi.

7 Liri të larmë,

të përpunuar prej Egjiptit

veli yt në majë të direkut,

mëndafshi e purpure prej Elisës

ishte mbulesa jote!

8 Banorët e Sidonit e të Aradit

ishin rremtarët e tu;

të dijshmit e tu, o Tir,

u bënë detarët e tu.

9 Pleqtë e Biblit në ty qëndronin

për të ndrequr kur në ty gjë prishej.

Të gjitha anijet me detarët e tyre

ishin në ty për të këmbyer tregti;

10 persianë, lutë e futë

ishin në ushtri tënde

‑ luftëtarët e tu shumë trima:

në ty varën shqyt, përkrenare:

ata të jepnin hijeshi!

11 Djemtë e Aradit me ushtrinë tënde

sogje bënin rreth mureve të tua,

gamadët ruanin mbi pirgjet e tua.

Mburojat i varnin në muret e tua

e kurorëzonin bukur hijeshinë tënde.

12 Për arsye të të gjithë pasurisë sate deri edhe Tarsisi me ty bënte tregti, për mallrat e tu jepnin argjend, hekur, tuç e plumb. 13 Tregti me ty bënin deri edhe Javani, Tubali e Mosoku: këmbenin mallrat e tu me skllevër e me bronz. 14 Ata të shtëpisë së Togormës të sillnin për mallra kuaj karrocash e shale dhe mushq në tregun tënd. 15 Djemtë e Rodit me ty tregtonin. Tregtia e ishujve të shumtë ishte në dorën tënde: të paguanin të dhjetat me dhëmbë elefanti e me ebanoz. 16 Me ty tregtonte Edomi pse kishe prodhime të shumta: për prodhimet e tua sillnin karbunkul, purpur, me greshpe, me pëlhura të çmueshme, me korale e me rubina. 17 Judenj e izraelitë me ty bënin tregti. Të sillnin për këmbim mallrash grurë dore të parë, balsam, mjaltë, vaj e rrëshirë. 18 Damasku me ty tregtonte pse kishe shumë prodhime, për mallrat e tu të çdo lloji këmbenin verë Helboni e lesh Sahari, 19 verë prej Uzalit të jepnin për mallrat e tu: si këmbim sillnin hekur të punuar, kënellë e kallam të ëmbël. 20 Dedani tregtonte me ty mbulojës kuajsh. 21 Arabët e princat e Cedarit tregtonin me ty. Tregtonin me ty qengja, desh e cjep. 22 Tregtarët e Sabës e të Reemës tregtonin me ty e për mallrat e tu sillnin erëra të mira, gurë të paçmueshëm dhe ar. 23 Me ty tregtonin Harani, Keneja e Edeni. Shitësit e tu ishin Saba, Asiria e Kelmadi. 24 Edhe këta tregtonin me ty: veshje të shkëlqyeshme, tabare të purpurta e të larmishme, petka shumëngjyrëshe, litarë të punuar mirë e fort të dredhur.

25 Anijet e Tarsit mbartnin tregtitë e tua,

ishe i begatshëm në zemrën e detit.

26 Në detin e hapur të shpurën rremtarët e tu,

por era e lindjes

të fundosi në zemrën e detit!

27 Pasuria jote, visaret e tua,

mallrat e tu të shumtë,

detarët e timonierët e tu,

mjeshtrit e avarive,

këmbyesit e tregtisë sate,

të gjithë trimat luftëtarë,

që në ty janë

dhe e gjithë shumica jote

do të fundosen në fund të detit

ditën e mbarimit tënd!

28 Në zërin e kushtrimit të timonierëve të tu

do të tranden brigjet e detit!

29 Prej anijesh do të zbresin

të gjithë rremtarët, detarët

e të gjithë timonierët

e do të qëndrojnë në terik.

30 Mbi ty thekshëm do të vajtojnë,

me hidhërim të madh do të gjëmojnë,

me pluhur kokat do t’i mbulojnë

e do të zhgërryhen nëpër pluhur!

31 Për ty kokat do t’i rruajnë

e do të ngjeshen me grathore,

me shpirt të pikëlluar ty do të të qajnë,

gjëmë të hidhur për ty do të bëjnë!

32 Do të fillojnë mbi ty vajtimin

e do të të thonë:

‘Kush na ishte porsi Tiri

që u shua, në fund të detit?!

33 Kur nga deti zbrisnin tregtitë e tua,

i ngopje popujt e panumërt.

Me pasuritë e tua të mëdha

me mallra të tregtisë sate

i pasurove mbretërit e dheut!

34 Tashti u hap deti e të përpiu,

u plandose në ujëra të mëdha!

Barkë e mallra e detarë

të gjithë së bashku u fundosën në det!

35 Për ty mbarë banorët e ishujve

i mbuloi tmerri,

u tmerruan mbretërit e tyre

e mbuluan f’tyrën!

36 Tregtarët e popujve fërshëlluan mbi ty!

U bëre vend që shtie tmerrin:

kurrën e kurrës s’do të përtëritesh!”

Ezekieli: 28. Kundër mbretit të Tirit

28

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit :

2 “Biri i njeriut, thuaji princit të Tirit:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Pasi mendja t’u rrit e the:

‘Unë jam hyjni,

rri mbi fronin e zotave,

në kërthizën e detit!’,

megjithëse je njeri e jo Hyj,

ti zemrën tënde e barazove me të Hyjit.

3 Ja, po qenke më i mençur se Daneli,

fshehtësi s’paska prej teje të fshehur;

4 me dije e mençuri tënde

e fitove pasurinë,

në thesaret e tua

bashkove ar e argjend.

5 Me dijen tënde të madhe

e me tregtinë tënde

e shtove pasurinë,

por pasuria jote mendjen ta rriti!

6 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

Pse zemrën tënde e barazove me të Hyjit,

7 do t’i dërgoj kundër teje të huajt,

ata më të egrit ndër popuj.

Do t’i zhveshin shpatat

mbi të bukurën dijen tënde

e do ta hedhin në baltë shkëlqimin tënd!

8 Në pellg do të të hedhin e do të vdesësh

me vdekje të të vrarëve në mes të detit.

9 Vallë, a do të thuash më:

‘Jam Hyj!?’,

ndër sy të vrastarëve të tu,

pasi je njeri e jo Hyj

në duart e vrastarëve të tu?

10 Do të vdesësh me vdekjen e të parrethprerëve,

nga dora e të huajve, sepse unë kam thënë kështu.”

‑ thotë Zoti Hyj.

Rënia e mbretit të Tirit

11 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Biri i njeriut, nisja vajtimit mbi mbretin e Tirit 12 e thuaj atij: Kështu thotë Zoti Hyj:

Ishe ti vulë përsosmërie,

plot urti

i mrekullueshëm në pashi.

13 Ishe në gëzimet e parajsës së Hyjit,

të stolisura me gurë të paçmueshëm petkat e tua:

me sard, topaz e jaspis,

krisolit e oniks e beryl,

safir, karbunkul e smaragd,

ar i përpunuar stolisja jote,

të qenë bërë gati ditën e krijimit tënd.

14 Me kerub krahështrirë të vendosa për të ruajtur,

ishe mbi malin e shenjtë të Hyjit,

ecje nëpër gurë të zjarrtë.

15 Ishe i përsosur në udhët e tua

që ditës së themelimit tënd,

derisa në ty u ngjiz fajësia!

16 Duke u rritur tregtia jote,

u mbushe përbrenda me fajësi e mëkate.

Atëherë të flaka nga mali i Hyjit

e të treti kerubini mbrojtës

nga mesi i gurëve të zjarrtë.

17 T’u rrit mendja për shkak të bukurisë,

pasuria të bëri të humbësh urtinë:

atëherë vetë të flaka përtokë,

të vura para syve të mbretërve

që të të shikojnë me përbuzje.

18 Me fajësitë e shumta të tuat

me paudhësinë e tregtisë sate,

i përdhose shenjtëroret e tua.

Futa zjarrin mes teje

që të të përpijë,

hi do të të bëj unë përmbi tokë

në sy të atyre që të shikojnë!

19 Të gjithë popujt që do të shohin,

do të çuditen se çka të gjeti.

Ti u bëre shenjë tmerrimi

e sharrove për jetë të jetës!”

 

Kundër Sidonit

20 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 21 “Biri i njeriut, silli sytë drejt Sidonit, profetizo kundër tij 22 e thuaj:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, kundër teje po sulem, Sidon,

i lavdishëm do të bëhem mes teje,

do ta dinë se unë jam Zoti

kur mbi të do të bëj gjyq

e të kem dëftuar në të shenjtërinë time.

23 Do ta dërgoj në të murtajën,

do të rrjedhë gjaku udhëve të tij,

përtokë të vdekur do të bien

prej shpatës të prerë rreth e për qark,

do ta dinë se unë jam Zoti”.

Izraeli i çliruar nga popujt e tjerë

24 Për shtëpi të Izraelit më s’do të ketë

as thumb therës as ferrë shqyese

ndër të gjithë fqinjët që e rrethojnë

që janë kundërshtarët e tyre,

do ta dinë se jam Zoti Hyj.

25 “Kështu thotë Zoti Hyj: Kur ta kem bashkuar shtëpinë e Izraelit nga të gjithë popujt, në të cilët janë të shpërndarë, unë vetë do ta dëftoj shenjtërinë time në ta ndër sy të paganëve. Ata do të banojnë në tokën e vet që ia dhurova shërbëtorit tim Jakobit. 26 Do të banojnë të sigurt në të. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbëltojnë vreshta e do të jetojnë pa farë frike, kur të kem bërë gjyq mbi të gjithë fqinjët e tyre përreth. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, Hyji i tyre.”

Ezekieli: 29. Kundër Egjiptit

29

1 Në të dhjetin vit, në të dhjetin muaj,

të dymbëdhjetën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit. Më tha: 2 “Biri i njeriut, sille fytyrën tënde kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit. 3 Fol e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, pritëm, o faraon,

mbreti i Egjiptit,

krokodil i madh,

që shtrihesh sa gjerë gjatë

në lumenjtë e tu

e thua: ‘Imi është lumi,

unë e krijova vetveten!’

4 Do ta vë grremçin në nofullat e tua,

do t’i ngjis peshqit mbarë të të gjithë lumenjve

për luspat e tua,

do të të nxjerr jashtë lumenjve të tu,

me të gjithë peshqit e lumenjve të tu

të ngjitur për luspat e tua.

5 Do të të hedh në shkretëtirë

bashkë me të gjithë peshqit e lumenjve të tu.

Do të përplasesh përmbi tokë,

askush s’do të të çojë as s’do të të varrosë:

Të dhashë për ushqim

egërsirave të tokës e shpendëve të qiellit!

6 Do ta dinë të gjithë banorët e Egjiptit

se unë jam Zoti.

Sepse ti ishe shkop kallami

për shtëpinë e Izraelit.

7 Kur në dorë të morën, ti u theve

ti krejt dorën ua copëtove.

Kur u mb’shtetën në ty, u theve

e të gjithë i këpute në kryq!

8 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja unë po çoj kundër teje shpatën e do të vras njerëz e kafshë. 9 Toka e Egjiptit do bëhet shkretëtirë dhe e pabanuar: do ta dinë se unë jam Zoti! Sepse ti the: ‘Lumi është imi, unë e krijova!’, 10 ja, prandaj unë po vij kundër teje e kundër lumenjve të tu, tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë, të shpartalluar nga shpata që prejMagdolit e deri në Sienë, deri në kufijtë e Kusit. 11 S’do ta përshkojë më këmbë njeriu, këmbë bagëtie më s’do të shkelë në të, e pabanuar do të mbesë për dyzet vjet. 12 Tokën e Egjiptit do ta bëj shkretëtirë mes tokave të shkretuara, qytetet e tij do të jenë mes qyteteve të rrënuara të shkretuara për dyzet vjet e egjiptianët do t’i tres ndër paganë e do t’i shpërndaj nëpër vende të ndryshme.

13 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të kalojnë dyzet vjet do t’i bashkoj egjiptianët nga popujt, ndër të cilët qenë shpërndarë, 14 e do ta ndryshoj fatin e Egjiptit dhe do t’i ngul në tokën Fatures, në vendlindjen e tyre, ku do të trajtojnë një mbretëri të vogël. 15 Ndër mbretëritë e tjera do të jetë më e vogla, më s’do të ngrihet mbi popujt e tjerë e do ta zvogëloj që të mos i pushtojë më popujt. 16 As shtëpia e Izraelit më nuk do të ketë shpresë në të, do ta kujtojë fajin e vet që i ndoqi ata, e do ta kuptojnë se unë jam Zoti Hyj.”

17 Ndodhi që, në vitin njëzet e shtatë, të parën ditë të muajit të parë, të më drejtohej kjo fjalë e Zotit:

18 “Biri i njeriut, Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e ka çuar në këmbë ushtrinë e vet dhe ka ndërmarrë një sulm të rreptë kundër Tirit: çdo kokë u rrua e çdo krah u thye e ai s’pati kurrfarë dobie as ai as ushtria që u çua kundër Tirit, pse e sulmoi Tirin.

19 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ja, pra, unë po ia lë në dorë Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, tokën e Egjiptit, ai do t’ia marrë pasurinë, do ta rrëmbejë e do ta bëjë pre me gjithçka ka. Kjo do të jetë shpërblimi i ushtrisë së tij. 20 Për mundin që hoqi kundër Tirit, tokën e Egjiptit do t’ia jap si shpagim. Do t’ia jap tokën e Egjiptit pse punuan në shërbimin tim, thotë Zoti Hyj. 21 Atë ditë do të bëj të forcohet krahu i shtëpisë së Izraelit, kurse ty do ta zhdërvjell gjuhën mes tyre e do ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 30. Dita e Zotit kundër Egjiptit

30

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, profetizo e thuaj:

Kështu thotë Zoti Perëndi:

Ulërini: ‘Mjerë ajo ditë!’,

3 sepse erdhi dita,

po afrohet dita e Zotit,

ditë e zezë, koha e paganëve!

4 Shpata do ta korrë Egjiptin,

tmerri do ta pushtojë Kusin,

kur përtokë të bien të plagosurit e Egjiptit,

kur të merret pasuria e tij,

të jenë rrënuar themelet e tij.

5 Shpata përdhe do t’i hedhë

Kus e Fut e Lud e të huaj të tjerë,

me Kub e bij të tokës së besëlidhjes!

6 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:

Do të bjerë kush përkrah Egjiptin,

do të përulet krenaria e fuqisë së tij:

nga Magdoli deri në Sienë

prej shpatës përtokë do të bien

‑ është fjala e Zotit Hyj!

7 Do të bëhet shkretëtirë mes tokash të shkretuara, qytetet e tij mes qyteteve të shkretuara. 8 Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur Egjiptit t’i shtie zjarrin e të shfarosen të gjithë ndihmëtarët e tij.

9 Atë ditë do të dalin lajmëtarët e mi me anije për ta thyer shpresën e Kusit. Tmerri do ta pushtojë në ditën e zezë të Egjiptit që do të vijë.

10 Kështu thotë Zoti Hyj: Do ta zhduk krenarinë madhështore të Egjiptit me dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit! 11 Ai dhe populli i tij me të ‑ më i pashpirti ndër të gjithë popujt ‑ do të sillet për ta shkretuar vendin. Ata do t’i zhveshin shpatat e veta kundër Egjiptit e do ta mbulojnë vendin me të vrarë. 12 Unë do t’i shter lumenjtë e vendin do ta lë në duart e njerëzve më të këqij e do ta shpartalloj vendin dhe pasurinë e tij me dorën e të huajve. E kam thënë unë Zoti!

13 Kështu thotë Zoti Hyj:

Unë do t’i zhduk tempujt,

do t’i zhduk idhujt e Memfisit,

prijës më s’do të ketë në Egjipt,

do ta mb’lojë Egjiptin tmerri!

14 Do ta shkatërroj tokën Fatures,

do t’i shtie zjarrin Taniut,

në No gjyqet do t’i bëj!

15 Atëherë do ta zbraz zemërimin tim mbi Sinin, fuqinë e Egjiptit, do t’ia shuaj poullin Nos. 16 Do t’ia fus zjarrin Egjiptit: si lindësja do të ketë dhimbje Sini, Noja do të pushtohet, kurse Memfisit do t’i vijë çmoskurrja! 17 Të rinjtë e Heliopolit e të Bubastiut do t’i presë shpata e këto qytete do të bien në skllavëri! 18 Mbi Tafnisin do të errësohet dita kur t’i thyej skeptrat e Egjiptit, kur të ketë rënë krenaria e pushtetit të tij. Reja atë do ta mbulojë, bijat e saj do të bien në skllavëri. 19 Atëherë gjyqet do t’i bëj në Egjipt e do ta dinë se unë jam Zoti.”

20 Më shtatë të të parit muaj të të njëmbëdhjetit vit më qe drejtuar fjala e Zotit: 21 “Biri i njeriut, ia theva krahun faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe, ja, nuk qe mjekuar me barna as lidhur me fasha që t’i kthehej shëndeti e të mund ta përdorte shpatën pasi t’i kthehej fuqia. 22 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e do t’ia thyej edhe krahun e shëndoshë e të thyerin e do t’ia rrëzoj shpatën prej dorës së tij. 23 Do t’i shpërndaj egjiptianët ndër paganë e do t’i tres në vende të ndryshme. 24 Do t’i jap fuqi mbretit të Babilonit dhe në dorën e tij do t’ia jap shpatën time, kurse do t’ia thyej faraonit krahët dhe do të gjëmojë para tij me gjëmët që i lëshon i plagosuri i shporuar tejpërtej. 25 Unë do t’i forcoj krahët e mbretit të Babilonit, kurse krahët e faraonit s’do të kenë fuqi. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur unë t’ia kem dhënë shpatën time mbretit të Babilonit në dorë e ai ta vringëllojë kundër Egjiptit. 26 Do ta tres Egjiptin ndër paganë, do t’i shpërndaj ndër vende të ndryshme: do ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 31. Cedri

31

1 Të njëmbëdhjetin vit, të tretin muaj, të parën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, e krenarisë madhështore të tij:

Kujt i përngjan në madhështinë tënde?

3 Je si bredh, porsi cedri i Libanit,

me gema të bukur, me gjethe të njoma,

me shtat të lartë;

maja ndër re i ka arritur!

4 E ushqyen ujërat,

e rriti humnera,

lumenjtë e tij rridhnin

gjithreth rrënjëve të tij,

përrenjtë i lëshoi

përreth të gjitha pemëve të fushës!

5 Prandaj edhe u rrit i lartë

përmbi të gjitha pemët e fushës,

u shumuan degët e tij

morën lart gemat e tij,

sepse ujët kurrë s’i mungoi.

6 Kur e shtriu hijen e vet,

në degët e tij i bënë foletë

të gjithë fluturakët e qiellit,

e nën gema plot me gjethe

egërsirat e fushës pollën,

e nën hije të tij banonin

popuj të shumtë!

7 Ishte i hijshëm në madhëri të vet,

në shtrirjen e degëve të veta,

sepse rrënjët e veta i kishte

përbri ujit që s’mungon.

8 Porsi ai cedra të tjerë s’ishin,

në parajsën e Perëndisë,

bredhat s’mund të krahasoheshin

as edhe me gemat e tij,

s’qenë çinarët të barabartë

me degët e njoma të tij:

asnjë pemë e parajsës së Hyjit

s’mund të matej me bukurinë e tij:

9 Shumë të bukur e kisha bërë

me degë të shumta edhe të shpeshta:

e lakmonin të gjitha pemët e Edenit,

që kishte parajsa e Hyjit.

10 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pse u krenua për rritjen e vet e pse arriti maja deri ndër re e pse iu rrit mendja për lartësinë e vet, 11 do ta lë në dorë të një prijësi pagan tejet të fuqishëm dhe do të sillet me të sipas fajësisë së tij. Vetë e shfarosa. 12 Të huajt ‑ më të dhunshmit e paganëve, do ta presin; do ta hedhin përtokë, gemat e tij do të bien nëpër lugina, degët e tij do të copëtohen nëpër gremina, nga hija e tij do të largohen të gjithë popujt e botës, do ta lënë!

13 Mbi trupin e tij do të ulen

të gjithë fluturakët e ajrit,

ndër gemat e tij do të struken

mbarë egërsirat e fushës,

14 që me lartësinë e vet të mos krenohet asnjë pemë e mbirë bri ujit dhe të mos e ngrejnë majën e vet ndër re dhe që asnjë pemë që pi ujë të mos krenohet me lartësinë e vet, sepse

të gjitha i nënshtrohen vdekjes,

të hedhura në Nëntokën e tokës, mes bijve të njerëzve,

tek ata që kanë zbritur në ferr.

15 Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur zbriti në Nëntokë unë bëra të bëhet gjëmë: për të e mbulova Humnerën dhe i ndala lumenjtë, i pengova ujërat e mëdha; në zi e vesha Libanin, u lëkundën të gjitha pemët e fushës. 16 Në rropamën e rënies së tij, u trandën popujt, kur e shpura atë në ferr me ata që zbritnin në Nëntokë. U gëzuan në Nëntokë të gjitha pemët e Edenit, më të përmendurat e më të zgjedhurat e Libanit, mbarë të gjitha që u ujitën. 17 Sepse edhe ato së bashku me të zbritën në ad te të prerët me shpatë dhe te ndihmësit e tyre, që rrinin nën hijen e tij në mes të paganëve.

18 Kujt i përngjan, o më e përmendura e më e hijshmja, ndër pemët e Edenit? Dhe, ja, u hodhe me pemët e Edenit në krahinat e Nëntokës! Do të flesh në mes të parrethprerëve, me ata që shpata i preu! Ky është faraoni dhe mbarë populli i tij ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 32. Krokodili

32

1 Të dymbëdhjetin vit, të dymbëdhjetin muaj, të parën ditë të muajit më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 2 “Biri i njeriut, nisja vajtimit mbi faraonin, mbretin e Egjiptit e thuaj:

Sharrove, luani i popujve!

Ishe si krokodili në ujë,

turfulloje nëpër lumenjtë e tu!

Me këmbët e tua turbulloje rrjedhën,

i turbulloje përrenjtë e tij!

3 Kështu thotë Zoti Hyj:

Do ta hedh mbi ty unë rrjetën,

bashkë me mbledhjen e shumë popujve,

jashtë do të të nxjerrin me rrjetën time.

4 Do të të hedh përjashta në tokë

do të të lë mu në terik.

Do të lëshoj mbi ty të gjithë shpendët e qiellit,

egërsirat me ty do t’i ngij.

5 Mishin tënd do ta shpërndaj në male,

me stërvinën tënde lugjet do t’i mbush.

6 Do të ujis tokën me qelbësirë

të gjakut tënd të derdhur ndër male,

humnerat me ty do të mbushen!

7 Kur të jesh sosur do të mbuloj qiellin,

do t’i errësoj yjet e tij:

me re diellin do ta zë

edhe hëna dritë s’do të bëjë,

8 prej mjerimit tënd dritë s’do të bëjnë yjet,

tokën tënde me terr do ta mb’loj,

thotë Zoti Perëndi.

9 Do ta përmalloj zemrën e popujve të shumtë kur ta përhap lajmin e rrënimit tënd ndër popuj, në vende që ti s’i njeh. 10 Do të bëj të mbesin të habitur mbi ty popuj të shumtë, mbretërit e tyre do t’i kapë frikë e madhe për shkak tëndin, kur ta kem nxjerrë shpatën time ndër sy të tyre. I tmerruar shtang do të mbesë secili për jetën e vet ditën e rrënimit tënd. 11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:

Mbi ty do të bjerë shpata e mbretit të Babilonit.

12 Popullin tënd do ta vras me shpatën

e trimave, të popujve më të egjër:

ata do ta shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit,

do të zhbihet gjithë pasuria e tij.

13 Do të mbarojë gjithë bagëtia e tij

ndër vërrijet e ujërave të mëdha;

s’do t’i trazojë më këmbë njeriu,

s’do t’i shkelë më thundër gjedhi.

14 Atëherë të kthjellta do t’i bëj ujërat e tyre,

lumenjtë e tyre porsi vaj do të rrjedhin

‑ është fjala e Zotit.

15 Kur Egjiptin ta kem bërë shkretëtirë,

të zhveshur nga gjithçka ka,

kur t’i godas të gjithë banorët e tij,

do ta dinë se unë jam Zoti.

16 Ky është vajtim e do ta vajtojnë. Bijat e popujve do të vajtojnë; do ta vajtojnë mbi Egjiptin e mbi popullin e tij ‑ thotë Zoti Hyj.”

Zbritja e faraonit në Nëntokë

17 Më pesëmbëdhjetë të muajit të parë të të dymbëdhjetit vit më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 18 “Biri i njeriut, filloja këngës së vajtimit mbi banorët e Egjiptit! Shtyji ata e bijat e popujve të fortë në krahinën e Nëntokës bashkë me ata që zbresin në gropë.

19 Më i bukur se kush je ti?

Zbrit e fli me të parrethprerë!

20 Do të bien me ata që i shkurtoi shpata. Shpata u dha: le të plandoset me të gjithë popujt e vet! 21 Trimat e trimave në mes të ferrit do të flasin me të e me ndihmësit e tij që u plandosën: ‘Heshtin të parrethprerët që shpata i korri.’

22 Aty Asiria e mbarë populli i saj, përreth tij varret e saj, të gjithë të prerë që i korri shpata. 23 Varret e tyre janë në fundin e ferrit, turma e tyre është rreth varrit të tij: të gjithë të vrarë, nga shpata të prerë që, dikur, mbarë botës së të gjallëve i shtinë tmerrin!

24 Aty Elami e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij. Të gjithë këta prej shpatës të prerë, zbritën në krahinën e të vdekurve të parrethprerë, që dikur ia shtinë tmerrin botës së të gjallëve, por e morën çnderimin e vet bashkë me ata që zbresin në ferr. 25 Mes të vrarëve ia vunë shtrojën, atij edhe popullit të tij përreth varrit të tij ‑ të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur: ishin dikur tmerr në tokën e të gjallëve, tashti e bartin çnderimin e vet me ata që zbresin në dhe të zi ‑ janë vendosur ndër të vrarë.

26 Aty është Mosoku, Tubali e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij ‑ të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur, që dikur ishin tmerri i tokës së të gjallëve. 27 Nuk pushojnë me trima që dikur ranë dhe me armë zbritën në krahinën e të vdekurve e i vunë armët nën koka të veta dhe i kishin shqytat mbi eshtra të vet, sepse ishin tmerr për trima në tokën e të gjallëve. 28 Edhe ti do të shkrihesh e do të flesh në mes të të parrethprerëve prej shpatës së të prerëve.

29 Aty është Idumeja, mbretërit e saj e princat e saj: edhe pse trima, ata shtrihen në mes të të prerëve prej shpatës dhe flejnë me të parrethprerë, me ata që zbritën në gropë.

30 Aty janë princat e Veriut e të gjithë sidonët. Edhe ata zbritën me të prerë, megjithëse ishin tmerr për kah trimëria. Edhe ata flejnë të parrethprerë bashkë me ata që i korri shpata dhe mbajnë çnderimin e vet me ata që zbritën në dhe të zi.

31 Do t’i shohë faraoni e do të gëzohet për gjithë këtë shumicë të madhe. Janë të prerë me shpatë të faraonit e të mbarë ushtrisë së tij ‑ është fjala e Zotit, 32 sepse e shtieva tmerrin tim në tokën e të gjallëve. Është i plandosur në mes të të parrethprerëve me të vrarët e shpatës së faraonit ai dhe mbarë populli i tij ‑ është fjala e Zotit.

Ezekieli: 33. Profeti si rojtar i qytetit

33

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 ”Biri i njeriut, fol me bijtë e popullit tënd dhe thuaju: Nëse e dërgoj shpatën kundër një vendi e populli i atij vendi e zgjedh një prej të vetëve dhe e vë për rojtar të vetin, 3 e ky, kur ta shohë se po vjen shpata kundër atij vendi, i bie bririt dhe e lajmëron popullin, 4 kushdo që e dëgjon zërin e borisë e nuk është në kujdes, atëherë vjen shpata dhe e shkurton, gjaku i tij mbi kokën e tij: 5 e dëgjoi zërin e bririt e nuk qe në kujdes: gjaku i tij mbi kokën tij le të jetë! Po të kishte dashur të ruhej, do ta kishte shpëtuar jetën e vet. 6 Por, në qoftë se rojtari e sheh shpatën duke ardhur, por nuk i bie bririt e kështu popullit nuk i lëshohet kushtrimi: vjen shpata dhe e merr ndonjë prej tyre: ky vërtet u bë pre e fajësisë së vet, porse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës së rojtarit.

7 Ty, o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. 8 Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë, do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. 9 Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.

Kthimi e shkthimi

10 Kurse ti, biri i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: ju po i përsëritni këto fjalë: ‘Fajësitë tona e mëkatet tona peshojnë mbi ne dhe ne në to po shkrihemi. Si, pra, do të mundemi të mbetemi gjallë?’ 11 Ti thuaju: Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ nuk e dua vdekjen e të patenzonit, por dua që i patenzoni të kthehet nga rruga e ligë e të jetojë! Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija! E pse të vdisni, o shtëpia e Izraelit!

12 E ti, o biri i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë ditën që të ketë mëkatuar dhe paudhësia e të paudhit nuk do ta dëmtojë me ditën që të kthehet nga paudhësia e vet; as i drejti nuk do të mund të jetojë në drejtësinë e vet që prej ditës që të ketë mëkatuar! 13 Në qoftë se edhe vetë i them të drejtit se do të jetojë, e ai, duke shpresuar, në drejtësinë e vet, bën paudhësi, të gjitha drejtësitë e tij do të lihen në harresë dhe në paudhësinë e vet, në atë që e ka bërë, në të do të vdesë! 14 Po gjithashtu, nëse i them të paudhit: ‘Ti do të vdesësh!’, por nëse ai kthehet nga mëkati i vet e bën të drejtën e drejtësinë, 15 ai i paudhë e kthen pengun dhe shpërblen cubninë, i zbaton urdhërimet e jetës dhe nuk bën asgjë që është e padrejtë, do të jetojë e nuk do të vdesë! 16 Të gjitha mëkatet që bëri, nuk do t’i numërohen: po e bëri të drejtën e drejtësinë e do të jetojë!

17 Bijtë e popullit tënd thonë: ‘S’është e drejtë mënyra e veprimit të Zotit’! Në të vërtetë, mënyra e veprimit të tyre nuk është e drejtë! 18 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën të keqen, do të vdesë në të keqen; 19 e kur i paudhi e lë të keqen e vet e bën të drejtën e drejtësinë, në to do të jetojë. 20 Por ju thoni: ‘Mënyra e veprimit të Zotit nuk është e drejtë’. Unë do t’ju gjykoj, o shtëpia e Izraelit, secilin sipas udhës së vet!”

Pushtimi i qytetit

21 Të dymbëdhjetin vit, të dhjetin muaj, më pesë të muajit të shpërnguljes sonë, erdhi tek unë një i ikur nga Jerusalemi e më tha: “Qyteti u pushtua!” 22 Mirëpo, dora e Zotit kishte rënë mbi mua në sy të asaj dite kur më erdhi ky i ikur. Zoti më çeli gojën para se ai të vinte në mëngjes dhe, njëherë zhdërvjedhur goja ime, më nuk mbeta memec.

Shkretimi i vendit

23 Më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 24 ”Biri i njeriut, ata që jetojnë në këto rrënoja në truallin e Izraelit thonë: ‘Abrahami ishte i vetëm dhe gjithë këtë tokë e pati pronë e ne jemi shumë ‑ neve na u dha toka për pronë.’ 25 Prandaj, thuaju atyre: Kështu thotë Zoti Hyj: Ju e hani mishin me gjak, sytë i ngritni drejt idhujve tuaj edhe derdhni gjak ‑ vallë, a juve iu takon për pronë kjo tokë? 26 Mbështeteni në shpatat tuaja, bëni turpësi, e secili e dhunon gruan e të afërmit të vet ‑ vallë, a juve ju takon për pronë kjo tokë? 27 Kështu thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj. Pasha mua, ata që banojnë në rrënoja, prej shpatës do të bien, ai që është në fushë, do t’u jepet egërsirave për ta ngrënë e ata që janë në kulla e në shpella, do të vdesin nga murtaja. 28 Vendin do ta bëj shkretëtirë të pabanuar, do të zhduket përgjithmonë krenaria e tij e paturpshme. Të shkreta do të mbesin malet e Izraelit, kështu që askush s’do të kalojë më nëpër to. 29 Kur tokën e tyre ta kem shpartalluar e shkretuar për shkak të të gjitha turpësive që i bënë, atëherë do ta kuptojnë se unë jam Zoti.”

Rrjedhojat e predikimit

30 “Biri i njeriut, bijtë e popullit tënd flasin për ty përbri muresh e në dyer të shtëpive e i thonë njëri‑tjetrit: ‘Ejani e dëgjoni ç’fjalë vjen prej Zotit!’ 31 E vijnë te ti si në kuvendin e dheut. Ulen para teje e i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë: bëjnë gjasme u pëlqejnë, por zemra e tyre jepet pas dobisë së pandershme. 32 Je bërë për ta si këngë dashurie, që këndohet me zë të këndshëm e shoqërohet me muzikë të ëmbël: i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë. 33 E kur të ndodhë çfarë u parapa ‑ dhe ja po vjen ‑ atëherë do ta dinë se ka qenë ndër ta një profet.”

Ezekieli: 34. Barinjtë e Izraelit

34

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit ”Biri i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit, profetizo! Thuaju barinjve: Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë barinjtë e Izraelit, që kullotin vetveten! Vallë, a nuk e kanë për detyrë barinjtë t’i kullotin grigjat? 3 Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni berret e majme e grigjën nuk e kullotni! 4 Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të humburën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë! 5 Kështu u shpërndanë delet e mia, sepse s’kishin bari. U bënë preja e të gjitha egërsirave të fushës dhe u shpërndanë. 6 Enden delet e mia gjithkund maleve e kodrave të larta, grigjat e mia u shpërndanë gjithkah mbi sipërfaqen e dheut e askush nuk shqetësohet, askush nuk i kërkon!

7 Prandaj, dëgjojeni, o barinj, fjalën e Zotit: 8 Pasha jetën time, thotë Zoti Hyj: pasi grigja ime u bë pre dhe delet e mia ushqim i të gjitha egërsirave të fushës për faj të bariut dhe pse barinjtë e mi nuk e kërkuan grigjën time, por barinjtë kullotnin vetveten e nuk e kullotnin grigjën time, 9 prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit! 10 Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë po vij kundër barinjve! Grigjën time do ta kërkoj prej duarve të tyre, më s’do t’i lejoj t’i kullotin delet e mia, kështu barinjtë më s’do ta kullotin vetveten, por do t’i heq delet e mia nga goja e tyre e më nuk do të bëhen ushqimi i tyre!

11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. 13 Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në fushë dhe në të gjitha vendet e banuara. 14 Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit! 15 Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj ‑ thotë Zoti Hyj. 16 Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.

17 Kurse juve, o grigja ime, kështu ju thotë Zoti Hyj: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve. 18 Vallë, a nuk ju mjafton të kullotni në kullota të mira, por doni ta shkelmoni kullotën që ju tepron? A nuk ju mjafton të pini ujë të kulluar por edhe tepricën doni ta turbulloni me këmbët tuaja? 19 Deleve të mia u duhet të hanë barin që ju keni shkelmuar e të pinë ujët që ju keni turbulluar!

20 Prandaj kështu u thotë Zoti atyre: Ja, unë vetë do të gjykoj ndërmjet deles së majme e të ligshtës! 21 Pasi ju i shtytni me bri, me shpatulla e u bini me brirë për t’i dëbuar të ligshtat, deri që edhe i dëboni jashtë, 22 unë do ta shpëtoj grigjën time, më nuk do të bëhet pre, do të gjykoj ndërmjet deles e deles!

23 Do ta ngre për to një bari që t’i kullotë, shërbëtorin tim Davidin: ai do t’i kullotë, ai do të jetë bariu i tyre. 24 Kurse unë Zoti do të jem Hyji i tyre, ndërsa shërbëtori im Davidi do të jetë prijësi në mesin e tyre. E kam thënë vetë, unë Zoti! 25 Unë do të lidh me ta besëlidhjen e paqes e prej mbarë vendit do t’i shfaros të gjitha egërsirat grabitqare. Do të kalojnë jetë të sigurt në male e do të flejnë në pyeje. 26 Do t’i bëj ata dhe krahinat përreth Kodrës sime bekim: do të çoj shi në kohën e përshtatshme: do të jenë shira bekimi! 27 Pemët e fushës do ta japin frytin e vet e toka do t’i japë prodhimet e veta, do të jetojnë në vendin e vet pa farë frike dhe do ta dinë se unë jam Zoti, kur t’i kem thyer vargonjtë e zgjedhës së tyre e t’i kem nxjerrë nga dora e atyre që i sundojnë. 28 Më nuk do të jenë preja e paganëve, s’do t’i hanë egërsirat e malit, por do ta kalojnë jetën në qetësi, pa farë frike. 29 Do të bëj të ngallitë për ta një bimësi e përmendur, më nuk do të sharrojë kush prej tyre nga uria e më nuk do të jenë të pandershëm ndër sy të paganëve. 30 Do ta dinë se unë Zoti, Hyji i tyre, jam me ta dhe ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im ‑ thotë Zoti Hyj. 31 Ju, grigja ime, ju jeni grigja e kullotës sime e unë Zoti jam Hyji juaj!” Është fjala e Zotit Hyj!

Ezekieli: 35. Kundër maleve të Edomit

35

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah mali Seir, profetizo kundër tij e thuaj:

3 Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, po sulem kundër teje, o mali Seir,

po e çoj dorën time kundër teje,

do të të shuaj e do të të shkretoj!

4 Do t’i shkretoj qytetet e tua

e ti do të bëhesh shkretëtirë:

atëherë do ta dish se unë jam Zoti.

5 Pasi i urreve vazhdimisht bijtë e Izraelit e i preve me shpatë ditën e ngushticës së tyre, ditën e fundit të keqbërësisë së tyre: 6 prandaj, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ unë do të të qes në gjak e gjaku do të të ndjekë: pasi s’pate bezdi prej gjakut, gjaku do të të përndjekë! 7 Do ta shuaj malin Seir e do ta bëj të shkretë: prej tij askush s’do të dalë as s’do të kthehet, 8 malet e tij do t’i mbush me të vrarët e tij: të vrarët e tu do të bien prej shpatës në kodrat e tua, në luginat e tua e në të gjithë përrenjtë e tu. 9 Do të të bëj shkretëtirë të përhershme, qytetet e tua nuk do të banohen e do ta dini se unë jam Zoti.

10 Ti pate thënë: ‘Këta dy popuj e këto dy vende do të jenë të miat: do t’i kem për pronë, ’ megjithëse Zoti ishte aty, 11 prandaj, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ edhe unë do të veproj me zemërim të tmerrshëm sikurse ti veprove me mëri e me urrejtje kundër tyre dhe do të zbulohem ndër ta kur të të kem gjykuar ty. 12 Do ta dish se unë Zoti i dëgjova të gjitha të sharat e tua që i the kundër maleve të Izraelit: ‘U shkretuan, neve na u dhanë t’i hamë!’ 13 U kacagjeluat kundër meje e folët me gojën tuaj kundër meje fjalët tuaja: unë vetë i dëgjova!

14 Kështu thotë Zoti Hyj: Për kënaqësinë e mbarë tokës ty do të të bëj shkretëtirë! 15 Sikurse u gëzove për trashëgimin e shtëpisë së Izraelit, pse qe shpartalluar, po ashtu do të bëj me ty, do të rroposesh, o bjeshka e Seirit, dhe mbarë ti, o Idum, e do ta dinë se unë jam Zoti!”

Ezekieli: 36. Profeci mbi malet e Izraelit

36

1 “Tashti, biri i njeriut, profetizo mbi

bjeshkët e Izraelit e thuaj: Bjeshkët e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit. 2 Kështu thotë Zoti Hyj: Meqenëse tha armiku juaj për ju: ‘Ah! Ah! Bjeshkët e amshueshme u bënë prona jonë’! 3 Prandaj profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni qenë shpartalluar e përndjekur prej fqinjëve tuaj për t’u bërë pronë e popujve të tjerë e pasi u bëtë përralla e gjuhëve shpifëse e shenjë turpi për popullin, 4 prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, përrenjve e vërrive, vendeve të shkretuara e qyteteve të mbetura shkretë, që u shpopulluan e u bënë shenjë përqeshjeje për popujt e tjerë përreth. 5 Mirë, pra, kështu thotë Zoti Hyj: Me zemërim të ndezur flakë po përbetohem kundër popujve të tjerë e kundër mbarë Idumit, që e morën tokën time për pronë të vetën, me gëzim e me gjithë zemër e me gjithë shpirt të lig që t’i përmbysin kullotat e tij. 6 Prandaj, parafol për tokën e Izraelit e thuaju maleve, kodrave, përrenjve e luginave: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po përbetohem me xhelozi e me zemërim: pse ju desh të duroni poshtërim e përbuzje prej paganëve, 7 prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: unë e ngrita dorën time në përbetim: popujt që janë përreth jush ata vetë do ta mbartin turpin e vet. 8 E ju, o bjeshkët e Izraelit, lëshoni shatorr gemat tuaj e bëni fryte për popullin tim Izraelin, sepse është afër, po vjen! 9 Ja, unë po vij tek ju, kah ju po sillem! Do të lëvroheni e do të mbilleni. 10 Do t’ju shtoj me njerëz ‑ mbarë shtëpinë e Izraelit, qytetet do të mbushen me banorë e rrënojat do të përtërihen. 11 Do t’ju mbush me njerëz e me bagëti: do të shtohen e do të shumohen. Do të bëj të keni banorë si më parë, do t’ju bëj të mira më tepër se më parë e ju do ta dini se unë jam Zoti. 12 Do t’i sjell te ju njerëzit ‑ popullin tim Izraelin e do të bëhesh prona e tyre, trashëgimi i tyre e më nuk do t’ua shuash fëmijët.

13 Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi thonë për ju: ‘Është toka që i përpin njerëzit dhe që popullit ia shuan farën’, 14 ja, pra, ti më s’do t’i përpish njerëzit dhe më nuk do t’ia tretësh farën popullit tënd ‑ është fjala e Zotit Hyj. 15 S’do të lejoj më kurrë që ta dëgjoj poshtërimin e paganëve mbi ty, kurrë më nuk do ta mbartësh turpin e popujve kundër teje dhe popullin tënd kurrë më nuk do ta lësh pa fëmijë ‑ thotë Zoti Hyj.”

16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: 17 ”Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pati përdhosur atë me sjelljen e vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër. 18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. 19 I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. 20 Por edhe në popujt, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: ‘Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!’ 21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popujt ndër të cilët shkoi.

22 Prandaj, kështu thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S’e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popujt te të cilët shkuat. 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.

24 Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj. 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! 26 Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi. 27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia. 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj. 29 Unë do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do ta thërras grurin e do të bëj të bëhet me shumicë e më s’do t’ju ngarkoj me uri! 30 Do ta shumoj frytin e pemëve e prodhimet e arave, që të mos e pësoni më ndër popuj marren e urisë. 31 Atëherë do t’ju bjerë ndër mend sjellja juaj tejet e keqe e veprat tuaja jo të mira e do t’ju bëjnë neveri paudhësitë tuaja e poshtërsitë tuaja. 32 Mirë dijeni, nuk e bëj këtë për hatër tuaj ‑ thotë Zoti Hyj ‑ duhet t’ju vijë turp e të skuqeni, shtëpia e Izraelit, për sjelljen tuaj!

33 Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur t’ju kem pastruar nga të gjitha ndyrësitë tuaja e të kem bërë të banohen qytetet e të ripërtëriten rrënojat, 34 e kur toka e lënë djerr të jetë punuar, toka që dikur qe lënë e shkretë në sy të të gjithë kalimtarëve, 35 do të thonë: ‘Toka e mbetur shkretë u bë kopsht i Edenit, po banohen qytetet e mbetura shkretë, të rrënuara e të rrafshuarat po rindërtohen’. 36 Popujt do ta dinë, të gjithë ata që do të mbesin rreth jush, se unë Zoti i rindërtova të rrënuarat dhe i mbolla djerret. Thashë unë Zoti dhe ashtu do të bëj!

37 Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe në këtë gjë do të lejoj t’i vështrohet prej meje popullit të Izraelit kërkesa në të mirën e tij: Do t’ia shtoj njerëzit porsi grigjat, 38 porsi grigjë të shuguruar, porsi grigjën e Jerusalemit në festimet e tij. Kështu qytetet e rrënuara do të mbushen plot e përplot me njerëz dhe do ta dinë se unë jam Zoti.”

Ezekieli: 37. Eshtrat e thata

37

1 Mbi mua ra dora e Zotit dhe, në shpirtin e Zotit, më çoi e më vendosi në mes të një fushe që ishte plot me eshtra. 2 Ai më bëri t’i përshkoj në të gjitha drejtimet: mbi sipërfaqen e tokës ishin pa masë shumë e tejet të thatë. 3 Atëherë më pyeti: “Biri i njeriut, a të thotë mendja se këto eshtra mund ta rifitojnë jetën?” Unë iu përgjigja: “Ti e di, o Zot Hyj!”

4 Atëherë më urdhëroi: “Profetizo mbi këta eshtra e thuaju: O eshtra të thata, dëgjojeni fjalën e Zotit! 5 Kështu u thotë Zoti Hyj këtyre eshtrave: Unë po e fus në ju shpirtin e ju do ta rifitoni jetën. 6 Do të end mbi ju dejtë, do t’ju vesh me mish, do t’ju mbuloj me lëkurë, do t’ju fus shpirtin e ju do ta rifitoni jetën dhe do ta dini se unë jam Zoti.”

7 Unë profetizova ashtu si më qe urdhëruar. Ndërsa unë po profetizoja, dëgjova një ushtimë dhe pashë një lëvizje eshtrash: iu afruan njëri‑tjetrit, secili asht ashtit përgjegjës. 8 Shikova dhe, ja, u gërshetuan drejtë, u veshën me mish dhe me lëkurë, por ende nuk kishin shpirt.

9 Prapë më tha: “Profetizoji shpirtit! Porfetizo, biri i njeriut, e i thuaji shpirtit: Kështu thotë Zoti Hyj: Eja, o shpirt, nga të katër anët e botës e fryj mbi këta të vdekur që ta rifitojnë jetën!”

10 Unë profetizova siç më kishte urdhëruar dhe në ta hyri shpirti. Ata e rifituan jetën dhe qëndruan në këmbë të veta ‑ një ushtri të madhe, tejet e madhe!

11 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, këta eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ata thonë: ‘Eshtrat tona u thanë, s’kemi më kurrfarë shprese, kemi mbaruar!’ 12 Prandaj profetizo e thuaju. Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. 13 Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! 14 Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj ‑ thotë Zoti Hyj.”

Juda e Izraeli një mbretëri e vetme

15 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit. 16 “Ti, o biri i njeriut, merre një dru e shkruaj në të: Juda e bijtë e Izraelit të bashkuar me të. Merre pastaj një tjetër dru e shkruaj mbi të: Jozefi ‑ druri i Efraimit ‑ e mbarë shtëpia e Izraelit e bashkuar me të. 17 Afroja njërën dru tjetrës si një dru të vetme: le të jenë të bashkuara në dorën tënde. 18 Kur bijtë e popullit tënd të pyesin: ‘A po na tregon çka do të thotë kjo?’, 19 thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e marr drunë e Jozefit, që është në dorën e Efraimit edhe fiset e Izraelit të bashkuara me të e po e bashkoj me drunë e Judës dhe po i bëj një dru të vetme: do të jenë një gjë e vetme në dorën time.

20 Mbaj në dorë ndër sytë e tyre drutë, në të cilat ke shkruar 21 e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të tretur, do t’i mbledh prej gjithkahit e do t’i kthej në tokën e tyre 22 dhe do t’i bëj një popull të vetëm në tokën e tyre, në malet e Izraelit; të gjithë do të kenë një mbret, më nuk do të jenë dy popuj dhe më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri. 23 Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, me turpësitë e tyre e me të gjitha paudhësitë e tyre, do t’i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë e tyre me të cilat mëkatuan, do t’i pastroj; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre. 24 Mbret do ta kenë shërbëtorin tim Davidin e të gjithë do të kenë një bari të vetëm. Do të jetojnë në gjyqet e mia e do t’i kryejnë urdhërimet e mia e me jetë do t’i zbatojnë. 25 Do të banojnë në tokën që ia dhurova Jakobit, shërbëtorit tim, në të cilën banuan etërit tuaj. Në të do të banojnë ata e fëmijët e tyre edhe bijtë e bijve të tyre përgjithmonë. Davidi shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre pëgjithmonë. 26 Me ta do të lidh Besëlidhje paqeje ‑ një Besëlidhje të përhershme me ta. Do t’i vendos e do të bëj të shtohen me shumicë. Në mesin e tyre do ta bëj Shenjtëroren time të përhershme. 27 Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre: do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. 28 Atëherë popujt do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Shenjtëruesi i Izraelit, kur ta vendos për përgjithmonë Shenjtëroren time në mesin e tyre.”

Ezekieli: 38. Kundër Gogut, mbretit të Magogut

38

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah Gogu, në tokën e Magogut, prijësit kryeparë të Mosokut e të Tubalit, e profetizo kundër tij. 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër teje, o Gog, prijësi i parë i Mosokut e i Tubalit! 4 Unë do të të rrethoj e do t’i mbërthej grremçat në nofullat e tua. Do të të nxjerr ty dhe mbarë ushtrinë tënde ‑ kuaj e kalorës, të gjithë të veshur në mënyrë të përsosur, një shumicë të madhe me mburoja e shqyta që ngjeshin shpatën. 5 Me ta edhe persianët, kusët e futët, të gjithë me shqyta e me përkrenare. 6 Gomerin e të gjithë ushtrinë e tij, shtëpinë Togorma nga skaji i Veriut e tërë ushtrinë e tij ‑ popuj të shumtë me ty. 7 Bëhu gati e rreshtohu me mbarë shumicën tënde që u bashkua rreth teje, ji gati për të më shërbyer!

8 Pas shumë ditësh do të marrësh urdhrin: rreth mbarimit të viteve do të sulesh kundër një vendi që shpëtoi nga shpata e është kthyer nga popuj të shumtë në malet e Izraelit, të cilat për një kohë të gjatë mbetën të shkreta. Këta u riatdhesuan dhe tashti jetojnë në qetësi. 9 Do të vish, do të sulesh porsi stuhia, porsi thellimi, për ta mbuluar tokën, ti dhe ushtria jote e me ty popuj të shumtë.

10 Kështu thotë Zoti Hyj: Atë ditë do të të vlojnë në kokë mendime të ndryshme e do të sendërtosh synime të këqija 11 e do të thuash: ‘Do ta sulmoj vendin e pambrojtur, po i sulmoj njerëzit që jetojnë të qetë! Të gjithë jetojnë pa mure rrethuese; s’kanë shula në dyer as dyer!’; 12 me qëllim që të rrëm tani besh plaçka e të bësh pre, të vësh dorë mbi rrënojat tani të ripopulluara e mbi popullin që u bashkua nga popujt e shtoi bagëti e pasuri e banon në kërthizën e dheut. 13 Seba, Dedani e tregtarët e Tarsisit me prijësit e tij do të të pyesin: ‘Vallë, a po sulmon për të bërë pre? Vallë, a për të plaçkitur e bashkove ushtrinë tënde, për të rrëmbyer ar e argjend, për të rrëmbyer bagëti e pasuri, për të grabitur pre të pamasë?

14 Prandaj, profetizo, biri i njeriut, e thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a atë ditë kur populli im Izraeli do të jetojë në qetësi të sigurt, do të nisesh kundër tij? 15 Do të nisesh prej vendit tënd, nga veriu i skajshëm, ti e popuj të shumtë me ty, të gjithë kalorës ‑ shumicë e madhe e ushtri e tmerrshme. 16 Do të sulmosh popullin tim Izraelin porsi reja për ta mbuluar tokën. Por, në ditën e fundit, do të të çoj në tokën time që popujt të më njohin mua, kur unë ta kem dëftuar mbi ty shenjtërinë time ndër sy të tyre, o Gog!

17 Kështu thotë Zoti Hyj: Ti pra, je ai, për të cilin kam thënë në ditët e dikurshme me gojë të shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, të cilët vjet me radhë profetizuan në ato ditë se do të të çoj ty kundër tyre. 18 Atë ditë, ditën kur Gogu të sulet kundër tokës së Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj ‑ do të zbrazet zemërimi im në furinë time. 19 Në mendjen e zezë timen e në flakën e zemërimit tim, vendosa: atë ditë do të jetë trandje e madhe në tokën e Izraelit, 20 do të dridhen para fytyrës sime peshqit e detit, shpendët e qiellit, egërsirat e fushës, zvarranikët e çdo lloji që lëvizin mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë përmbi sipërfaqe të dheut. Do të kapërdihen malet, do të pëlcasin qetat e çdo mur do të rrëzohet përdhe! 21 Do të thërras kundër tij shpatën në të gjitha malet e mia ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet. 22 Do ta dënoj me murtajë e me gjak! Me shi të tmerrshëm e me gurë breshëri! Do të derdh mbi të porsi shiun zjarr e sulfur, mbi të e mbi ushtrinë e tij dhe mbi popuj të shumtë që janë me të: 23 do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur ndër sy të popujve të panumërt: atëherë do ta dinë se unë jam Zoti!

Ezekieli: 39. Gogu

39

1 E ti, o biri i njeriut, profetizo kundër Gogut e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, në shpinë më ke, o Gog, prijësi kryeparë i Mosokut e i Tubalit! 2 Do të të tërheq, do të të josh, do të të bëj të vish nga Veriu i skajshëm dhe do të të sjell në malet e Izraelit. 3 Do ta hedh përtokë harkun prej dorës sate të majtë e do t’i flak shigjetat e tua prej të djathtës sate! 4 Do të vritesh mbi malet e Izraelit, ti dhe mbarë çetat e tua edhe popujt që janë me ty! Të dhashë për ushqim shpendëve grabitqarë, të gjithë fluturakëve dhe egërsirave të tokës. 5 Do të biesh në fushë të hapët, sepse kështu e kam thënë unë ‑ është fjala e Zotit Hyj!

6 Do të çoj zjarr mbi Magog dhe mbi ata që të qetë banojnë në ishuj dhe do ta dinë se unë jam Zoti. 7 Të njohur do ta bëj emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim Izraelit e nuk do të lejoj të përlyhet Emri im i shenjtë! Paganët do ta dinë se unë jam Zoti, Shenjti në Izrael! 8 Ja, erdhi, u bë ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kjo është dita për të cilën kam folur!

9 Banorët do të dalin prej qyteteve të Izraelit e do t’i ndezin e do t’i djegin armët: mburojë e shqyt, hark e shigjetë, heshtë, çumak e mëzdrak ‑ do t’i djegin për shtatë vjet! 10 Nuk do të mbartin dru nga arat as nuk do të presin në pyje, sepse zjarr do të bëjnë me armë. Do t’i rrëmbejnë ata që i kanë rrëmbyer, do t’i bëjnë pre ata që i patën bërë pre ‑ thotë Zoti Hyj.

11 Atë ditë do t’ia jap Gogut për varresë vendin e përmendur në Izrael: Luginën e udhëtarëve në lindje të detit, që ua mbyll udhën kalimtarëve. Aty do të varroset Gogu dhe mbarë ushtria e tij. Ajo do të quhet Lugina e Shumicës së Gogut. 12 Do t’i rëmojnë izraelitët për shtatë muaj për ta pastruar vendin. 13 Do t’i varrosë mbarë populli i vendit e kjo ditë do të jetë e përmendur për ta, sepse këtë ditë unë i dhashë lavdi vetvetes ‑ thotë Zoti Hyj. 14 Do të caktojnë njerëzit, të cilët do ta përshkojnë vendin për t’i varrosur ata që kanë mbetur mbi dhe, për ta bërë vendin të pastër. Por edhe pas shtatë muajve, 15 do të vazhdojnë t’i kërkojnë e do ta përshkojnë vendin, e, nëse gjejnë eshtra njeriu, do të ngulin përgjatë tyre shenjën që varrtarët t’i varrosin në Luginën e Shumicës së Gogut. 16 Qyteti quhet Amonë. Kështu do ta pastrojnë vendin.

17 Ti, pra, o biri i njeriut: Kështu thotë Zoti Hyj: Thuaji çdo fluturaku, të gjithë shpendëve e të gjitha egërsirave të fushës: Bashkohuni, ejani shpejt, mblidhuni nga çdo anë në flinë time, që unë po jua bëj gati! Në flinë e madhe mbi malet e Izraelit që të hani mish e të pini gjak! 18 Hani mish trimash e pini gjak princash të tokës: desh, qengja, cjep e mëzetër të majmë, të gjithë nga Basani. 19 Do të hani e do të ngiheni me dhjamë e do të pini derisa të deheni me gjak të flisë që unë po e ther për ju. 20 Do të ngiheni në tryezën time me mish kuajsh shale e karroce, me mish trimash dhe luftëtarësh ‑ thotë Zoti Hyj!”

Përfundimi

21 “Kështu do ta dëftoj lavdinë time ndër popuj e të gjithë popujt do ta shohin gjyqin që do ta bëj dhe dorën që do ta rëndoj mbi ta. 22 E shtëpia e Izraelit do ta dijë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, prej asaj dite e përgjithmonë. 23 Por do ta marrin vesh edhe paganët se shtëpia e Izraelit ka qenë tretur në skllavëri për shkak të fajësisë së vet, sepse më patën lënë mua. Këndej e fsheha fytyrën time prej tyre, i lashë në duart e armiqve të tyre që të sharrojnë prej shpatës. 24 U solla me ta sipas papastërtisë së tyre e fajësisë së tyre dhe prej tyre e fsheha fytyrën time.

25 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Tani do t’ia kthej fatin e mirë Jakobit, do ta përdëllej mbarë shtëpinë e Izraelit e do të dëftohem i zellshëm për nder të emrit tim të shenjtë. 26 Do t’ua fal çdo turpësi dhe pabesnikëri që ma bënë ndërsa ende jetonin të qetë në vendin e vet, kur nuk kishin nga kush të druanin. 27 E kur t’i kem riatdhesuar nga popujt e t’i kem bashkuar nga vendet e armiqve të tyre e ta kem dëftuar shenjtërinë time në ta në sy të popujve të panumërt, 28 atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, Hyji i tyre, që i pata humbur ndër popuj, por edhe që i bashkova në vendin e vet duke mos lënë atje asnjë. 29 Më nuk do ta fsheh fytyrën time para tyre, sepse do ta zbraz shpirtin tim mbi shtëpinë e Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 40. Tempulli i ardhshëm

40

1 Në fillim të vitit të njëzetepestë të shpërnguljes sonë, të dhjetën ditë të muajit, të katërmbëdhjetin vit pasi qe pushtuar Qyteti, po atë ditë, ra mbi mua dora e Zotit. Ai më çoi atje. 2 Në vegime hyjnore më çoi në tokën e Izraelit dhe më uli në majë të një mali shumë të lartë, mbi të cilin ishte ndërtuar pothuajse një qytet i tërë në krahun e jugut. 3 Ai më futi brenda. Dhe ja, një njeri i ndritshëm porsi kallaji, me litar të linjtë në dorë, me kallam mase në dorë, qëndronte në derë. 4 Ky njeri foli me mua e më tha: “Biri i njeriut, vëzhgo e dëgjo me kujdes dhe vërjua mendjen të gjithave që do të t’i dëftoj, sepse je sjellë këtu që të të dëftohen këto. Kumtoja shtëpisë së Izraelit gjithçka të shohësh këtu.”

Muri i jashtëm

5 Dhe, ja, godina ishte e rrethuar gjithkund përjashta me mur. Kallami i masës që njeriu e kishte në dorë ishte gjashtë kutesh, çdo kut ishte një pëllëmbë më i gjatë. Ai e mati godinën: gjerësia një kallam e lartësia një kallam.

Dera e lindjes

6 Erdhi te dera që shikon në drejtim të lindjes, u ngjit shkallëve dhe e mati pragun e derës: gjerësia një kallam. 7 Dhoma një kallam e gjatë e një kallam e gjerë. Ndërmjet dhomave pesë kute: edhe pragu i tremes përgjatë paraderës: një kallam. 8 E mati edhe tremen e derës: 9 tetë kute, shtyllakët: dy kutesh. Tremja e derës ishte brenda. 10 Dhomat e derës së lindjes ishin tri në njërën anë e tri në anën tjetër. Kishin të njëjtën masë. Po ashtu edhe shtyllakët: në të dy anët ishin po me atë masë. 11 E mati edhe gjerësinë e hyrjes në treme: ishte dhjetë kutesh; gjatësia e derës trembëdhjetë kutesh. 12 Para dhomave, në njërën anë e në tjetrën, ishin parmakët prej afro një kuti. Secila dhomë: gjashtë kute në njërën anë e gjashtë kute në anën tjetër. 13 Pastaj e mati derën prej pullazit të njërës dhomë deri në pullazin e asaj përballë: gjerësia njëzet e pesë kute prej njërës hyrje në tjetrën, /14/15 prej ballit të hyrjes së derës deri te balli i hyrjes së tremes përbrenda, pesëdhjetë kute. 16 Dhomat dhe në mbidyert e tyre kishin dritare me kangjella rreth e rreth përbrenda. Po ashtu ishin dritaret edhe në treme rreth e rreth përbrenda, kurse në shtyllakët palma të pikturuara.

Oborri i jashtëm

17 Më çoi edhe në oborrin e jashtëm. Dhe, ja, dhoma e trualli i shtruar me rrasa rreth e rreth oborrit: tridhjetë dhoma gjatë truallit të shtruar me rrasa. 18 Kalldrëmi ishte në të dy anët e dyerve me përmasa të derës. Ky ishte kalldrëmi i poshtëm. 19 Ai e mati gjerësinë e oborrit prej faqes së derës së poshtme deri në ballin e derës së brendshme përjashta: njëqind kute. Kështu në lindje e kështu në veri.

Dera e veriut e tremes

20 E mati gjerësinë e gjatësinë edhe të derës së veriut të oborrit të jashtëm. 21 Edhe ajo kishte nga tri dhoma këndej e andej. Pragjet dhe paradera e saj me përmasat e derës së mëparshme. Gjatësia e saj pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. 22 Edhe dritaret e tremes si dhe skulpturat e palmave, sipas masës së derës në drejtim të lindjes. Në hyrje kishte shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda. 23 Paradera e brendshme e kishte derën përballë derës së veriut porsi në derën e lindjes. E mati nga dera në derë, njëqind kute.

Dera e jugut

24 Më çoi edhe drejt jugut dhe, ja, dera që shikonte drejt mesditës. I mati pragjet e para‑ derën: ishin sipas masave të lartpërmendura. 25 Dritaret e saj dhe tremet përreth porsi dritaret e tjera. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. 26 Tek ajo ngjiteshe nëpër shtatë shkallë. Paradera ishte përbrenda. Në shtylla kishte palma të pikturuara një këndej e një andej. 27 Tremja e kishte derën në drejtim të mesditës. E mati nga dera në derë: njëqind kute në drejtim të mesditës.

Tremja e brendshme. Dera e jugut

28 Atëherë më futi në oborrin e brendshëm nëpërmjet derës së mesditës. 29 Dhomat e tij, pragjet dhe paradera: ishin me të njëjtën masë. Kishte edhe dritare, kishte edhe paradyer gjithkund përreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. /30/31 Paradera shikonte drejt oborrit të jashtëm. Kishte palma në shtyllakë. Tek ai ngjiteshe nëpër tetë këmbë shkallësh.

Dera lindore

32 Atëherë më çoi në derë të lindjes të oborrit të brendshëm. E mati derën dhe ajo e kishte masën e mëparshme. 33 Dhomat e shtyllakët e paradera ishin me po të njëjtat masa si më lart. Kishte dritare dhe tremen rreth e rreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute e gjerësia njëzet e pesë kute. 34 Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Shtyllakët kishin të gdhendura palma këndej e andej. Hyhej në të nëpër tetë këmbë shkallësh.

Dera veriore

35 Më futi brenda edhe nëpër derën që është përballë veriut. E mati. Ishte po me ato masa të mëparshme: 36 dhomat, shtyllakët dhe tremja e saj. I kishte përreth edhe dritaret. Gjatësia pesëdhjetë kutë e gjerësia njëzet e pesë kutë. 37 Hajati shikonte drejt oborrit të jashtëm. Këndej e andej shtyllakët i kishin palmat e gdhendura. Në të ngjitej nëpër tetë këmbë shkallësh.

Kthinat shtojca

38 Ishte një kthinë me hyrje në derë të tremes. Aty lahej flia e shkrumbimit. 39 Në tremen e derës, në njërën e në tjetrën anë, ishin nga dy tryeza për të therur në to flinë e shkrumbimit, flinë për mëkat e flinë për pendesë. 40 Mbanesh, jashtë tremes, te dera e tremes, në drejtim të derës së veriut, edhe dy tavolina. Po ashtu edhe në krahun tjetër të derës së tremes dy tavolina. 41 Kështu: katër tavolina në njërën anë e katër të tjera në anën tjetër të derës: ishin tetë tavolina mbi të cilat priteshin flitë. 42a Ishin pastaj edhe katër tavolina për fli shkrumbimi, të punuara prej guri të latuar, të gjata një kut e gjysmë, të gjera një kut e gjysmë e të larta një kut. 43a Buza rreth e rreth e dhëmbëzuar një pëllëmbë prej jashtë brenda. 42b Mbi to viheshin veglat me të cilat priteshin flitë e shkrumbimit dhe flitë e tjera, 43b kurse mbi tavolina mishi i kushtimit. 44 Jashtë derës së brendshme ishin dy kthina, në tremen e brendshme: njëra ishte në anën e derës së veriut, e kthyer kah jugu, tjetra në anën e derës së jugut e kthyer kah veriu. 45 Ai më tha: “Dhoma që është e kthyer me pamje kah jugu, duhet të jetë për priftërinj që shërbejnë në rojën e Tempullit. 46 Dhoma që është me pamje kah veriu, duhet të jetë për priftërinjë që kryejnë shërbesën e lterit: këta janë bijtë e Sadokut, ata nga bijtë e Levit, të cilët kanë leje t’i afrohen Zotit për t’i shërbyer.”

Paradera e brendshme

47 E mati edhe paraderën. Ishte e gjatë njëqind kute, e gjerë njëqind kute: katrore. Në ballë të Tempullit ishte lteri.

Tempulli: Ulami ‑ hyrja kryesore

48 Atëherë më futi në treme të Tempullit. I mati shtyllakët e tremes: pesë kute këndej e pesë kute andej. Gjerësia e hyrjes ishte katërmbëdhjetë kute. Krahët e derës tre kutësh këndej e tre kutesh andej. 49 Gjatësia e paraderës ishte njëzet kutesh, kurse gjerësia dymbëdhjetë kutesh. Për dhjetë këmbë shkallë ngjiteshe tek ajo. Në pragje ishin dy shtylla: njëra në njërën anë e tjetra në tjetrën anë.

Ezekieli: 41. Hekali Salla e Tempullit

41

1 Atëherë më futi në Tempull. I mati shtyllakët: ishin të gjerë gjashtë kute këndej e gjashtë kute andej. 2 Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kutesh, kurse krahët e derës ishin pesë kute në njërën anë e pesë kute në anën tjetër. Pastaj e mati Sallën: ishte e gjatë dyzet kute dhe e gjerë njëzet kute.

Debiri ‑ Shenjtërorja e shenjtëroreve

3 Atëherë hyri dhe i mati shtyllakët e derës: dy kutesh. Pastaj mati derën: gjashtë kute; gjerësia e derës: shtatë kutesh. 4 E mati pastaj gjatësinë e saj: njëzet kute, gjerësia para sallës njëzet kute. E më tha: “Kjo është Shenjtërorja e shenjtëroreve.”

Kthinat anësore

5 E mati murin e Tempullit: gjashtë kute. Kthinat anësore ishin katër kute, rreth e rreth Tempullit. 6 Kthinat anësore ishin njëra mbi tjetrën në tri kate. Ishin anat e dala në mur të Tempullit për kthinat anësore që të kishin mbështetje, por mbështetjet nuk ishin për muri të Tempullit. 7 Gjerësia e kthinave vinte duke u rritur nga kati në kat, sepse Tempulli sa më lart, linte më shumë vend deri në majë. Kështu pra, zgjerohej Tempulli deri në majë. Nga kati i poshtëm ngjiteshe në katin e sipërm nëpër të mesmin. 8 Pashë rreth Tempullit një lartësim. Themelet e godinës anësore ishin një kallam i plotë gjashtë kutesh në lartësi. 9 Gjerësia e murit të jashtëm të godinës anësore ishte pesë kutesh. Zbrazëtia e kalimit ndërmjet kthinave anësore të Tempullit 10 e të kthinave, ishte e gjerë njëzet kute gjithkund përreth Tempullit. 11 Dyert e ndërtesës anësore ishin në krahun e zbrazëtisë së lirë: njëra derë ishte në veri e tjetra në jug. Hapësira e lirë ishte gjithkund përreth pesë kute.

Godina e perëndimit

12 Ndërtesa që ishte përballë zbrazëtisë së lirë në anë të perëndimit, ishte e gjerë shtatëdhjetë kute. Muri i godinës gjithkund përreth pesë kute i gjerë, ndërsa gjatësia e tij nëntëdhjetë kute.

13 Pastaj e mati Tempullin: ishte i gjatë njëqind kute, hapësira e rrethuar, godina dhe muret: njëqind kute gjatë. 14 Gjerësia e ballanikut të Tempullit me hapësirën e lirë: njëqind kute, në krahun e lindjes. 15 E mati edhe gjatësinë e godinës përballë hapësirës së lirë në pjesën përmbas, e rruginat këndej e andej së bashku: njëqind kute.

Stolisja e brendshme

Brendia e Tempullit, tremja e jashtme, 16 ishin të shtruara me dru. Dritaret ishin në suazë. Skajet e suazës ishin të trefishtë përballë pragut. Rruginat ishin të veshura me dru gjithkund përreth, nga trualli deri në dritare ‑ dritaret mund të mbylleshin. 17 Nga hyrja deri në brendinë e Tempullit, kështu edhe përjashta, madje edhe nëpër mbarë murin rreth e rreth, përbrenda e përjashta, 18 ishin të gdhendur kerubinë e palma: nga një palmë ndërmjet të dy kerubinëve. Kerubinët kishin nga dy fytyra, 19 në anë të palmës, në njërën anë, fytyrën e njeriut e në anën tjetër të palmës, fytyrën e luanit: kështu ishte gjithkund nëpër Tempull rreth e rreth. 20 Nga trualli e deri mbi derë ishin kerubinët e punuar po ashtu edhe palmat. Në murin e Tempullit 21 pragjet e dyerve ishin katrorë.

Lteri i drunjtë

Përpara Shenjtërores së shenjtëroreve ishte diçka 22 në përngjasim të lterit të drunjtë. Lartësinë e kishte tre kutesh, gjatësinë dy kutesh. Këndet, shtrojën e anat i kishte të drunjta. Ai njeri më tha: “Kjo është tryeza para fytyrës së Zotit.”

Dyert

23 Shenjtërorja dhe Shenjtërorja e shenjtëroreve kishin nga 24 dy dyer. Secila derë kishte nga dy krahë të lëvizshëm deri në mur: njëra derë kishte dy krahë e tjetra derë po ashtu dy krahë. 25 Në derën e Shenjtërores ishin të gdhendur kerubinët e palmat, ashtu siç ishin të gdhendur edhe në mure. Përjashta ishte pullazi i punuar përmbi treme. 26 Dritaret ishin me kangjella dhe palmat ishin në njërën e në tjetrën anë në murin e tremes e në kthinat anësore të Tempullit.

Ezekieli: 42. Dhomat e priftërinjve

42

1 Atëherë më qiti në oborrin e jashtëm në drejtim të veriut. Më çoi në dhomën që është përballë hapësirës së lirë, përballë godinës, në veri. 2 Në krahun e veriut e kishte gjatësinë njëqind kute, kurse gjerësia pesëdhjetë kute. 3 Përballë njëzet kuteve të tremes së brendshme dhe përballë truallit të shtruar me gurë të oborrit të jashtëm, godina ngritej pjesë pjesë në tre kate. 4 Përpara kthinave ishte rrugina dhjetë kutesh e gjerë që shpiente në brendësi. E gjatë ishte njëqind kute. Derën e kishin të kthyer kah veriu. 5 Kthinat e larta ishin më të vogla se të mesmet e të poshtmet, sepse i ngushtonin rruginat. 6 Ishin tre katesh, por nuk kishin këmbë guri, siç ishin shtyllat e oborrit. Kështu shkallë ‑ shkallë prej truallit në më të ultat, nëpër të mesmet, ndërtohej godina. 7 Muri i jashtëm, përgjatë kthinave, përgjatë oborrit të jashtëm, përpara kthinave, ishte i gjatë pesëdhjetë kute. 8 Sepse gjatësia e kthinave të oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kute, kurse e atyre përpara Shenjtërores ishte njëqind kutesh. 9 Poshtë nën këto kthina ishte një hyrje në lindje për ata që hynin nga oborri i jashtëm, 10 në krye të murit të oborrit. Përballë lindjes, në krahun e pjesës së lirë, kishte edhe kthina të tjera para godinës 11 po edhe në krahun e tyre, porsi kthinat në veri. Sipas gjatësisë e gjerësisë së tyre, ishin po ashtu edhe daljet e tyre, renditja dhe dyert e tyre ishin të barabarta. 12 Kështu ishin edhe dyert që ishin me pamje në jug: një derë ishte në krye të rruginës, gjatë murit gjegjës, në lindje të atij që hynte. 13 Ai më tha: “Dhomat në veri e dhomat në jug, përballë hapësirës së lirë, janë odat e shenjta, ku priftërinjtë, që i shërbejnë Zotit hanë gjërat e shenjta: aty i vendosin gjërat më të shenjta, kushtet, flitë pendestare e të shpërblimit, sepse ky vend është i shenjtë. 14 Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin nga Tempulli në oborrin e jashtëm, por aty do t’i heqin petkat me të cilat kanë kryer shërbesën liturgjike, sepse janë të shenjta; pastaj do të vishen me petka të tjera e kështu do të dalin te populli.”

Përmasat e oborrit

15 Pasi e kreu të maturit e Tempullit përbrenda, më qiti prej derës që shikonte nga lindja dhe aty mati gjithkund përreth. 16 Me kallamin matës e mati anën e lindjes: pesëqind kallama matës me kallamin e matjes së rëndomtë. 17 Mati edhe anën e veriut: pesëqind kallama matës përreth. 18 Mati edhe anën e jugut: pesëqind kallama matës të masës së rëndomtë përreth. 19 U soll edhe anës së perëndimit e mati: pesëqind kallama të masës së rëndomtë. 20 E mati murin në të katër anët rreth e rreth: ishte pesëqind i gjatë e pesëqind i gjerë. Ky e ndante vendin e shenjtë nga ai jo i shenjtëruar.

Ezekieli: 43. Kthimi i Zotit

43

1 Atëherë më çoi te dera që shikonte në drejtim të lindjes. 2 Dhe, ja, Lavdia e Zotit të Izraelit po vinte nga Lindja. Ushtima e saj porsi ushtima e ujërave të mëdha: toka shkëlqente nga madhëria e tij! 3 Unë atëherë pata një vegim të ngjashëm me vegimin që pata kur erdhi për ta shkatërruar qytetin, vegimi ishte sipas dukjes së vegimit që e pata në brigjet e lumit Kobar. Atëherë rashë me fytyrë përdhe.

4 Lavdia e Zotit hyri në Tempull nëpër derën që shikonte nga lindja. 5 Atëherë shpirti më ngriti e më futi brenda në oborrin e brendshëm. Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit. 6 Atëherë dëgjova një zë, dikush më fliste prej Tempullit, e një njeri qëndronte në këmbë pranë meje. 7 Më tha: “Biri i njeriut, ky është vendi i fronit tim, vendi i gjurmëve të këmbëve të mia. Këtu do të banoj në mes të bijve të Izraelit për amshim. Shtëpia e Izraelit më nuk do ta përdhosë Emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre me fëlligështitë e tyre e me kufoma të mbretërve të vet në vdekjet e tyre. 8 Ata e ndërtuan pragun e vet përbri pragut tim, gurngulurit e vet përbri gurngulurit tim: kishte vetëm një mjet mes meje e tyre dhe e përdhosën Emrin tim të shenjtë me turpësitë që i bënë. Kjo edhe qe arsyeja që i shfarosa në zemërimit tim. 9 Por tani e tutje ata do t’i hedhin larg meje lavirësitë e tyre edhe trupat e mbretërve të vet e unë do të banoj në mesin e tyre përgjithmonë.

10 Ti, pra, o biri i njeriut, dëftoja shtëpisë së Izraelit Tempullin që të turpërohet për fajësitë e veta e le t’ia vënë masën. 11 Nëse do t’u vijë turp për gjithçka kanë bërë, përshkruaje Tempullin dhe veçantitë e tij, hyrjet e daljet e tij, plotësisht dukën e tij, të gjitha rregulloret e ligjet e tij përshkruajua. Vizatoje ndër sy të tyre pikë për pikë që t’ia ruajnë krejtësisht dukën e tij e të gjitha rregulloret t’i vënë në zbatim. 12 Ky është ligji për Tempullin: në majën e malit, mbarë vendi që e rrethon është tejet i shenjtë; ja, ky është ligji i Tempullit.”

Lteri

13 Këto janë masat e lterit në kute ‑ e kuti këtu është një kut e një pëllëmbë. Baza e tij ishte një kut e lartë e një kut e gjerë. Buza në anë të tij e prerë përreth një pëllëmbë. Kurse lartësia e lterit ishte: 14 nga baza që ishte në truall deri në bazën e poshtme të lterit: dy kute lartësi, kurse gjerësia vetëm një kut, ndërsa prej bazës së vogël deri në të madhen: katër kute i lartë, kurse i gjerë vetëm një kut. 15 Vetë vatra ishte katër kutesh dhe nga vatra ngallitnin lart katër brirë. 16 Vatra ishte e gjatë dymbëdhjetë kute, dymbëdhjetë kute e gjerë: katror me krahë të barabartë. 17 Sipërfaqja: katërmbëdhjetë kute e gjatë e katërmbëdhjetë kute e gjerë në katër këndet e saj. Buza gjithkund përreth saj e prerë gjysmë kuti e baza e saj rreth e rreth një kut. Shkallët i shihnin në drejtim të lindje.

Shugurimi i lterit

18 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, kështu thotë Zoti Hyj: Ky është ligji i lterit kur do të ndërtohet për t’u kushtuar mbi të flia e shkrumbimit e për t’u derdhur gjaku. 19 Priftërinjve levitë, që rrjedhin prej Sadokut e që kanë të drejtë të shërbejnë ‑ është fjala e Zotit ‑ jepu një mëzat për flinë pendestare. 20 Merr prej gjakut të tij e me të lyej katër këndet, katër këndet e sipërfaqes, buzën gjithkund përreth, kështu do ta pastrosh e do ta pajtosh. 21 Pastaj merre mëzatin që do të jetë kushtuar për mëkate, dhe digje në vendin e caktuar në Tempull përjashta Shenjtërores. 22 Ditën e dytë kushto një cjap të patëmetë për mëkate. Le ta shpërblejnë lterin ashtu siç e bënë me mëzatin. 23 Kur ta kesh shpërblyer lterin, kushtoje një mëzat të patëmetë dhe një dash nga grigja të patmetë. 24 Kushtoji ata në praninë e Zotit. Priftërinjtë le të qesin mbi ta kripë e le t’i kushtojnë si fli shkrumbimi për nder të Zotit. 25 Për shtatë ditë çdo ditë kushto si fli për mëkate një cjap, një mëzat nga gjedhi e një dash nga grigja, të gjithë pa farë të mete. 26 Gjatë shtatë ditëve le ta shpërblejnë lterin. Kështu do ta bëjnë të pastër, e do ta shugurojnë. 27 Si të jenë kryer këto ditë, të tetën ditë e më tutje, priftërinjtë le t’i kushtojnë në lter flitë tuaja të shkrumbimit e të pajtimit e unë do të kem përdëllim për ju ‑ thotë Zoti.”

Ezekieli: 44. Përdorimi i derës lindore

44

1 Atëherë më ktheu praptazi te dera e jashtme e Shenjtërores, tek ajo që shikon nga lindja: ishte e mbyllur.

2 Atëherë Zoti më tha: “Kjo derë duhet të mbetet mbyllur. Nuk do të hapet e njeri s’do të kalojë nëpër të, sepse nëpër të hyri Zoti Hyji i Izraelit: duhet të mbesë mbyllur. 3 Vetëm princi, sepse është princ, mund të rrijë në të e të hajë bukë në praninë e Zotit, por duhet të hyjë nëpër derën e tremes e nëpër të edhe duhet të dalë jashtë.”

Rregullore për të pranuar në Tempull

4 Atëherë më priu drejt derës së veriut, para Tempullit. Shikova, dhe ja, Lavdia e Zotit e mbushi Tempullin e Zotit. Unë rashë me fytyrë përdhe. 5 Atëherë Zoti më tha. “Biri i njeriut, vërja mirë mendjen, shiko me sytë e tu e dëgjo me veshët e tu gjithçka të them lidhur me të gjitha sjelljet e Shtëpisë së Zotit e me ligjet e saj. Mirë vërja mendjen kush mundet të hyjë në Tempull e kush s’bën të hyjë në Tempull 6 thuaji shtëpisë së Izraelit, kryengritëse ndaj meje: Kështu thotë Zoti Hyj: Tepër shumë janë turpësitë e tua, o shtëpia e Izraelit, 7 e ju i futët të huajt, të parrethprerë në zemër e në mish dhe hynë në Shenjtëroren time dhe e përdhosën Shtëpinë time ndërsa ju kushtonit bukën time, dhjamin e gjakun. Kështu e thyet Besëlidhjen time me të gjitha turpësitë tuaja. 8 Vetë nuk i ruajtët gjërat e mia të shenjta dhe i vutë ata të kryejnë shërbesën time në Shenjtëroren time. Prandaj 9 kështu thotë Zoti Hyj: Asnjë i huaj i parrethprerë në zemër e në trup s’mund të hyjë në Shenjtëroren time: asnjë i huaj që jeton në mes të bijve të Izraelit.”

Detyra e levitëve

10 Levitët që u larguan prej meje, kur bijtë e Izraelit me gabimin e vet u larguan prej meje pas idhujve të vet, do të japin përgjegjësi për fajësinë e vet. 11 Do të shërbejnë në Shenjtëroren time si rojtarë e derëtarë të Shtëpisë e si shërbëtorë të Tempullit: këta do t’i therin flitë e shkrumbimit e flitë për popull, do të qëndrojnë përpara popullit e do të jenë në shërbimin e tij. 12 Këta i patën shërbyer popullit para idhujve të tyre dhe kështu u bënë për shtëpinë e Izraelit fyerje paudhësie, prandaj edhe e lartësova dorën time mbi ta ‑ thotë Zoti Hyj ‑ mbi kokë të tyre fajësia e tyre! 13 Më s’do të afrohen para meje për të më shërbyer me shërbesën priftërore, as s’do të mund t’u afrohen gjërave të mia të shenjta, atyre më të shenjta, por do t’i mbartin turpësitë e veta e neveritë që i bënë. 14 Unë do t’i bëj të kryejnë gjithçka duhet të punohet në Tempull, të bëjnë gjithçka duhet të bëhet në të.

Rregullore për priftërinjtë

15 Priftërinjtë levitë, pasardhës të Sadokut, që i mbajtën rregulloret e Shenjtërores sime, kur izraelitët u endën larg meje, ata le të më afrohen për të më shërbyer, le të qëndrojnë në praninë time për të më kushtuar dhjamin e gjakun ‑ thotë Zoti Hyj. 16 Këta do të hyjnë në Shenjtëroren time, ata do të afrohen në tryezën time për të më shërbyer e për ta ruajtur shërbesën time.

17 Kur të hyjnë nëpër dyer të tremes së brendshme, le të vishen me petka të linjta dhe të mos vënë përmbi to asnjë petk të leshtë, kur shërbesojnë shërbejnë brenda dyerve të tremes së brendshme e në Shenjtërore. 18 Në kokë duhet të mbajnë shallma të linjta e duhet t’i mbathin rreth ijës tëlinjtat e linjta: të mos ngjeshen me asgjë që të mund t’i bëjë të djersiten. 19 Kur të dalin në tremen e jashtme te populli, le t’i heqin petkat e veta me të cilat shërbyen, le t’i lënë ato në kthinat e shenjta, le të vishen me petka të tjera që të mos e shenjtërojnë popullin me petkat e veta. 20 Kokën e vet nuk guxojnë ta rruajnë, por as të mos i lënë flokët tepër të gjatë, por le të qethen kohë pas kohe.

21 Asnjë prift të mos pijë verë kur do të hyjë në tremen e brendshme. 22 S’mund të martohet me grua të vejë e të lëshuar, por vetëm me vajza prej bijave të Izraelit. Mund të martohen edhe me ndonjë të vejë që ka mbetur e vejë pas vdekjes së priftit. 23 Kanë detyrë ta mësojnë popullin tim ç’dallim ka ndërmjet gjësë së shenjtë e jo të shenjtë, e t’i dëftojnë çka është e pastër e çka e papastër. 24 Në mosmarrëveshje le të jenë gjykatës: duhet të gjykojnë sipas gjyqeve të mia. Duhet t’i zbatojnë të gjitha ligjet e mia e rregulloret e mia lidhur me të kremtet e mia e do t’i shenjtërojnë të shtunat e mia.

25 Nuk do të hyjnë te ndonjë i vdekur që të mos bëhen të papastër. U lejohet të bëhen të papastër në rastin e vdekjes së babait, të nënës, të ndonjë biri ose bije, të vëllait e edhe të motrës që nuk ka qenë e martuar. 26 Pasi ai të jetë pastruar, le t’i numërohen shtatë ditë 27 e atëherë, kur të hyjë në Shenjtërore, në tremen e brendshme, për të më shërbyer mua në Shenjtërore, le ta kushtojë flinë për mëkate, thotë Zoti Hyj.

28 Ata nuk do të kenë trashëgim: unë do të jem trashëgimi i tyre. Nuk do t’u jepni pronë në Izrael: sepse unë jam prona e tyre. 29 Atyre u takojnë për ushqim flitë e pendesës e flitë e pajtimit, atyre u përket edhe çkado të jetë caktuar për zhdukje. 30 Priftërinjve u takon më e mira pjesë e fryteve të para të të parëlindurve, çdo lloj kushtimi tuaj; po edhe miellin më të mirin do t’ua jepni priftërinjve që t’i bekojnë shtëpitë tuaja. 31 Priftërinjtë nuk mund të hanë asgjë të ngordhur ‑ kurrnjë bagëti që ta kenë copëtuar egërsirat ose shpendët.

Ezekieli: 45. Ndarja e tokës. Pjesa e Zotit

45

1 Kur ta ndani me short vendin, ndajeni njëherë pjesën e shenjtë të Zotit: me gjatësi njëzet e pesë mijë kute e me gjerësi njëzet mijë kute. Kjo pjesë do të jetë e shuguruar në tërë hapësirën e vet; 2 prej kësaj pjese Shenjtërores i takojnë pesëqind kute gjatë e pesëqind kute gjerë; katrore, si dhe pesëdhjetë kute kullota përreth. 3 Pasi ta kesh matur këtë, prej saj mat gjatësi njëzet e pesë mijë kute e gjerësi dhjetë mijë: në këtë vend do të jetë Tempulli ‑ Shenjtërorja tejet e shenjtë. 4 Kjo pjesë e shenjtë u takon priftërinjve që shërbejnë në Shenjtërore, të cilët i afrohen Zotit për t’i shërbyer. Ky vend do t’u shërbejë atyre për shtëpi dhe për kullota të bagëtive. 5 Njëzet e pesë mijë për së gjati e dhjetë mijë kute për së gjeri le t’u jepet levitëve që shërbejnë në Tempull: kjo është prona e tyre për të ndërtuar qytetet e banimit.

6 Si pronë, pastaj, të qytetit, jepni për pjesë pesë mijë kute në gjerësi e njëzet e pesë mijë kute në gjatësi përbri pronës së shuguruar: në të ka pjesë mbarë shtëpia e Izraelit.

Pjesa e princit

7 Princit le t’i caktohet për pronë një pjesë nga të dy krahët e pronës së shenjtëruar dhe të pronës së qytetit, që nga krahu i detit deri në det e që nga ana e lindjes në drejtim të lindjes me gjatësi sa dhe ato pjesë prej kufirit të perëndimit deri në kufirin e lindjes. 8 Kjo pjesë do të jetë prona e tij në Izrael dhe princat e mi më nuk do të guxojnë ta ndrydhin popullin tim dhe tokën do t’ia japin shtëpisë së Izraelit sipas fiseve.

9 Kështu thotë Zoti Hyj: Mjaft më, princat e Izraelit! Hiqni dorë nga dhuna e rrëmbimet! Bëni të drejtën e drejtësinë! Mos bëni kërkesa tatimesh prej popullit tim ‑ thotë Zoti Hyj.

10 Kini peshore të drejta, ef të drejtë, bat të drejtë! 11 Efi e bati le të zënë njësoj, të kenë të njëjtën masë: le të zërë të dhjetën pjesë të homerit bati e të dhjetën pjesë të homerit efi: masa e tyre le të jetë sipas homerit. 12 Sikli të ketë njëzet gera. Pesë sikla të jenë pesë sikla, dhjetë sikla të jenë dhjetë sikla e mina le të jetë pesëdhjetë sikla.

Kushtet për kultin

13 Ky është kushti që duhet ta jepni: një të gjashtën e efit për gomor të grurit dhe të gjashtën e efit për gomor të elbit. 14 Në lidhje me vajin, ja rregullorja: bati është masa e vajit ‑: një të dhjetën e batit për çdo kor ‑ dhjetë bat bëjnë një homer, sepse dhjetë bat mbushin një kor.

15 Nga çdo grigjë dyqind delesh ‑ të kullotave të pasura të Izraelit ‑ një dele si fli shkrumbimi, si fli pajtimi për të shpërblyer ‑ thotë Zoti Hyj. 16 Mbarë populli i vendit është i detyruar t’ia bëjë këtë kusht princit të Izraelit. 17 Princi e ka për detyrë të japë për flitë e shkrumbimit, kushtet e njomjet në ditët e festave, për hënë të re, për të shtuna dhe për të gjitha kremtimet e shtëpisë së Izraelit: ai le të kujdeset për flitë për mëkat si dhe për kushtet, flitë e shkrumbimit e për flitë e pajtimit për shpërblim të shtëpisë së Izraelit.

E kremtja e pashkëve

18 Kështu thotë Zoti Hyj: Të parën ditë të të parit muaj, merre një mëzat pa të metë nga gjedhi e shpërbleje lterin. 19 Prifti të marrë prej gjakut të flisë për shpërblim të mëkatit e ta qesë në pragjet e Shtëpisë e në katër këndet e sipërfaqes së lterit dhe në pragjet e derës së tremes së brendshme. 20 Bëj kështu edhe të shtatën ditë për çdokënd që ka mëkatuar prej ligështisë e prej padijes. Kështu do ta kryeni pajtimin për Shenjtëroren.

21 Të parin muaj, të katërmbëdhjetën ditë të muajit, festojeni të kremten e Pashkëve! Shtatë ditë le të hahet buka e pabrumë. 22 Atë ditë princi le të kushtojë për vete e për mbarë popullin e vendit një viç si therore për mëkat. 23 Për shtatë ditët e të kremtes le t’i kushtojë si fli shkrumbimi shtatë mëzetër e shtatë desh të panjollë ‑ çdo ditë nga një për shtatë ditë ‑ dhe për mëkate çdo ditë nga një cjap. 24 Le ta kushtojë edhe si paraqitje një ef për çdo mëzat e për çdo dash dhe një hin vaji për çdo ef.

Shenjtërimi i të kremtes së tendave

25 Të shtatin muaj, të pesëmbëdhjetën ditë të muajit, le të bëjë ditën e festës, siç u tha edhe më lart, për shtatë ditë, qoftë për mëkate e qoftë për fli të shkrumbimit, qoftë për kushtim e për vaj.

Ezekieli: 46. E shtuna dhe hëna e re

46

1 Kështu tha Zoti Hyj: Dera e tremes së brendshme që shikon në lindje, le të rrijë mbyllur gjashtë ditët e punës. Le të hapet të shtunave. Le të hapet edhe ditën e hënës së re. 2 Princi le të hyjë nëpër treme të derës përjashta, le të ndalet në shkallë të derës. Priftërinjtë le ta kryejnë flinë e shkrumbimit të tij dhe flitë pajtimore të tij; ai le të adhurojë mbi pragun e derës e pastaj le të kthehet jashtë. Dera të mos kyçet deri në mbrëmje. 3 Në hyrje të kësaj dere populli i vendit le të adhurojë të shtunave e për hënat e reja para Zotit.

4 Flia e shkrumbimit që do t’ia kushtojë princi Zotit duhet të jetë: ditën e shtunë gjashtë qengja pa të meta dhe një dash pa të metë, 5 kushtimore një ef për dash, kurse për qengj, sipas mundësisë e një hin vaj për ef. 6 Ditën e hënës së re një mëzat pa të metë e gjashtë qengja e një dash ‑ të jenë të gjithë pa të meta 7 e një ef për mëzat, po ashtu edhe një ef për dash le të jetë fli kushtimore, kurse për qengja sipas mundësisë, edhe një hin vaj për çdo ef.

Rregullore të ndryshme

8 Kur mbreti do të hyjë, le të hyjë nëpër derën e tremes e nëpër të le të dalë. 9 E kur populli i vendit ditëve të festave shkon përpara Zotit, ai që hyn nëpërmjet derës së veriut, për të adhuruar, le të dalë nëpërmjet derës së jugut, kurse ai që të ketë hyrë nëpër derën e jugut, le të dalë nëpër derën e veriut: të mos kthehet nëpër atë derë, nëpër të cilën ka hyrë, por nëpër derën që e ka përballë. 10 Edhe princi duhet të jetë mes tyre: le të hyjë si hyjnë ata e le të dalë si dalin ata.

11 Në të kremte e në festa le të flijohet si fli kushtimore një ef për mëzat e një ef për dash, kurse për qengj sipas mundësisë, dhe një hin vaj për një ef.

12 Kur princi mendon të kushtojë fli shkrumbimi vullnetare ose fli pajtimi vullnetare për nder të Zotit, le t’i hapet dera që shikon në lindje e le ta kushtojë flinë e vet të shkrumbimit e të pajtimit, siç kushtohet rëndom të shtunave, pastaj le të dalë jashtë e lë të kyçet dera.

13 Çdo ditë kushtoja Zotit si fli shkrumbimi nga një qengj vjetak pa të meta: këtë bëje gjithmonë në mëngjes. 14 Bëje si fli kushtimi mbi të çdo mëngjes të gjashtën e efit dhe vaj një të tretën e hinit që të stërpiket enëza e miellit; kjo le të jetë kushtim i përditshëm për nder të Zotit, ligj i përhershëm. 15 Le të kushtohet, pra, çdo ditë në mëngjes qengji, flia e kushtimit e vaji: është flia e shkrumbimit të përditshëm.

16 Kështu tha Zoti Hyj: Nëse princi do t’ia japë si dhuratë ndonjërit ndër të bijtë nga tra‑ shëgimi i vet, ajo gjë do të jetë pronë e të bijve: do ta kenë pronë të trashëgimit. 17 Por, në qoftë se nga prona e tij i dhuron ndonjë shërbëtori të vet, ajo gjë do t’i takojë atij deri në vitin e kthimit, atëherë do t’i kthehet princit: pronën e princit mund ta trashëgojnë vetëm të bijtë. 18 Princi nuk guxon të përvetësojë asgjë nga prona e popullit e t’i dëbojë ata prej pronës, por pronën e vet do t’ua lërë bijve të vet, që populli të mos shpërndahet, i dëbuar nga prona e vet.

19 Atëherë më priu nëpër hyrjen që është pranë derës, në kthinat e shenjta të priftërinjve që shihnin në veri. Dhe, ja: atje në skaj, në anë të perëndimit, një dhomë. 20 Ai më tha: “Ky është vendi, ku priftërinjtë do të ziejnë flitë e shpërblimit e për mëkate, ku do të ziejnë kushtimoret për të mos i qitur në oborrin e jashtëm e për të mos e shenjtëruar popullin.”

21 Atëherë më çoi në tremen e jashtme dhe më kaloi nëpër katër këndet e tremes, dhe ja, në çdo kënd të tremes një treme e vogël. 22 Këto treme të vogla në këndet e tremes ishin dyzet kute të gjatë e tridhjetë të gjerë: të katërtat ishin me të njëjtën masë. 23 Të katërtat ishin të rrethuara me mur e rrëzë murit ishin të punuara furra gjithkund përreth. 24 Atëherë më tha: “Këto janë furrat në të cilat do të ziejnë e do të pjekin shërbestarët e Tempullit të Zotit flitë e popullit.”

Ezekieli: 47. Burimi i Tempullit

47

1 Atëherë më ktheu te hyrja e Tempullit dhe, ja, buronte ujët nën pragun e Tempullit në lindje, sepse ballaniku i Tempullit ishte në krahun e lindjes, kurse ujët rridhte nën krahun e djathtë të Tempullit, në anën jugore të lterit. 2 Atëherë më priu në derën e veriut e më priu rreth e rreth përjashta në daljen e jashtme që shikon nga lindja: dhe, ja, uji buronte në krahun e djathtë! 3 Kur njeriu doli në drejtim të lindjes me litar në dorë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj nëpër ujë: ujët më arrinte deri në nyje të këmbës. 4 Prapë mati një mijë kute. Më bëri të kaloj ujët: ujët më arrinte deri në gju. 5 Mati edhe një mijë e më bëri të kaloj ujin: ujët më arrinte deri në ijë. Mati edhe një mijë: u bë një përrua që s’mund ta kaloja, sepse ujët u çua e duhej të kalohej me not: ishte përrua që nuk mund të kalohej në va.

6 Atëherë më tha: “A po sheh, biri i njeriut!”, dhe më ktheu në brigjet e përroit. 7 Posa u ktheva, dhe ja, në brigje, në të dy anët, shumë lëndë! 8 E më tha: “Ky ujë rrjedh në krahinën e lindjes, zbret në Arabë e derdhet në det: në ujë të kripur dhe e shëron ujët. 9 Çdo gjë e gjallë, që lëviz, kudo të arrijë burimi, do të jetojë; do të ketë shumë peshq, sepse, kudo që arrin ky ujë, gjithçka përtërihet në jetë e shërohet ‑ kudo kalon ky përrua. 10 Peshkatarët do të gjuajnë në det. Nga Engadi e deri në Engalim do të teren rrjetat. Do të ketë lloje të ndryshme peshqish, porsi peshqit e Detit të Madh, me shumicë të madhe fort. 11 Porse kënetat dhe gjollet e tij nuk do të shërohen: do të bëhen kripore. 12 Përmbi përrua, në të dy anët, në brigjet e tij, do të rritet çdo lloj peme: gjethet s’do t’u bien e frutat nuk do t’u mungojnë: çdo muaj do të japin fruta të reja, sepse ujët u vjen nga Shenjtërorja. Frutat do t’u jenë për ushqim e gjethet do të përdoren për barna.”

Kufijtë e vendit

13 15 Ja kufiri i tokës: në krahun e veriut, nga Deti i Madh, përgjatë rrugës Hetalon deri në hyrje në Emat, 16 Sedada, Berota, Sabarimi ‑ që është ndërmjet Damaskut e Ematit, deri në Asarenon, që është përgjatë Auranit. 17 Kështu, pra, kufiri do të jetë nga deti deri në Asarenon, në veri të të cilit është kufiri i Damaskut e i Ematit ‑ ana e veriut. 18 Kurse ana e lindjes: ndërmjet Auranit e Damaskut, ndërmjet Galaadit e tokës së Izraelit, gjithkund bregut të Jordanit si kufi deri në Detin Lindor, deri në Tamar: kjo është ana e lindjes. 19 Ana jugore: në drejtim të jugut nga Tamara deri në Ujërat Meribatkades e atëherë deri në përrua e përroit deri në Detin e Madh: kjo është ana jugore.

20 Në perëndim: bregut të detit, nga Deti i Madh e deri afër Ematit: ky është kufiri i detit.

21 Këtë tokë ndajeni ndërmjet si vëllezër ndër fiset e Izraelit. Ndajeni me short për pjesë për ju e për ardhacakët që kanë ngulur ndër ju e kanë lindur fëmijë në mesin tuaj: cilësojeni edhe ata si vendës ndër bijtë e Izraelit: që edhe ata të fitojnë pjesë me short mes fiseve të Izraelit. 23 Secilit ardhacak jepjani pjesën në atë fis ku të ketë ngulur ‑ thotë Zoti Hyj.”

Ezekieli: 48. Ndarja e vendit

48

1 Ja emrat e fiseve: Nga kufiri i veriut, në drejtim të Hetalonit, në hyrje të Ematit, Asarenon, në veri për kufi të Damaskut, përgjatë kufirit të Ematit ‑ nga krahu i lindjes deri në det: pjesa e Danit, një pjesë.

2 Nga kufiri i Danit ‑ nga kufiri lindor deri në kufirin e detit: pjesa e Aserit, një pjesë.

3 Përgjatë kufirit të Aserit, prej lindjes e deri në det: pjesa e Neftaliut, një pjesë.

4 Përgjatë kufirit të Neftaliut, prej lindjes e deri në det pjesa e Manaseut, një pjesë.

5 Përgjatë kufirit të Manaseut, prej lindjes e deri në det: pjesa e Efraimit.

6 Përgjatë kufirit të Efraimit, prej lindjes e deri në det: pjesa e Rubenit.

7 Përgjatë kufirit të Rubenit, prej lindjes e deri në det: pjesa e Judës.

8 Përgjatë kufirit të Judës, prej lindjes e deri në det le të jetë pjesë e veçuar që do t’ia kushtoni Zotit: gjerë e gjatë: njëzet e pesë mijë kute, sikurse edhe çdo pjesë, prej lindjes e deri në det: në mesin e saj do të jetë shenjtërorja.

9 Pjesa që do ta veçoni për Zotin, le të jetë e gjatë njëzet e pesë mijë kute dhe e gjerë njëzet mijë. 10 Kjo pjesë e veçuar u takon këtyre: priftërinjve: në veri njëzet e pesë mijë kute; në perëndim dhjetë mijë kute e gjerë, në lindje dhjetë mijë kute e gjerë e në jug njëzet e pesë mijë kute e gjatë; në mes le të jetë Shenjtërorja e Zotit. 11 Priftërinjve të shuguruar ‑ bijve të Sadokut, të cilët i ruajtën rregulloret e mia e nuk gabuan, kur e morën udhën e mbrapshtë bijtë e Izraelit, siç gabuan edhe vetë levitët: 12 atyre u takon një pjesë nga kjo pjesë e veçuar, pjesa më e shenjtë, përgjatë kufirit të pjesës së levitëve. 13 Po edhe levitëve pikërisht sikurse pjesës së priftërinjve: njëzet e pesë mijë kute gjatë e dhjetë mijë kute gjerë ‑ gjithsej njëzet e pesë mijë kute gjatë e dhjetë mijë kute gjerë. 14 Prej kësaj pjese asgjë s’mund të shitet, s’mund të ndërrohet, s’mund të kalohet në askënd toka e Veçuar, sepse është e shuguruar Zotit.

15 Pesë mijë kute në gjerësi, që teprojnë nga ato njëzet e pesë mijë, le të jenë kujri: për qytet, për banim e për kullota: qyteti le të jetë në mes. 16 Ja, masat e saj: në veri pesëqind e katër mijë, në jug pesëqind e katër mijë, në lindje pesëqind e katër mijë dhe në perëndim pesëqind e katër mijë kute. 17 Kullotat e qytetit duhet të jenë: në veri dyqind e pesëdhjetë kute, në jug dyqind e pesëdhjetë kute, në lindje dyqind e pesëdhjetë kute e në krah të detit dyqind e pesëdhjetë kute. 18 Çka, pastaj, të teprojë përgjatë pjesës së shenjtë ‑ dhjetë mijë kute në anë të lindjes e dhjetë mijë në perëndim, gjatë pjesës së shenjtë ‑ prodhimet e saj do t’u jepen atyre që i shërbejnë qytetit për ushqim. 19 Shërbyesit e qytetit le të merren nga të gjitha fiset e Izraelit. 20 E tëra pjesë e veçuar, pra, njëzet e pesë mijë kute herë njëzet e pesë mijë: katrore. Do t’i veçoni pjesën e shenjtëruar Zotit dhe pronën e qytetit. 21 Pjesa që tepron i përket princit në të dy anët e pjesës së shuguruar dhe të pjesës së pronës së qytetit ‑ në krahun e lindjes njëzet e pesë mijë kute, në krahun e lindjes, e në krahun e perëndimit njëzet e pesë mijë kute deri në kufi me det, sipas pjesëve të fiseve ‑ i takon princit. Pjesa e shuguruar e Shenjtërorja e Tempullit le të jetë në mes, 22 e ndarë nga prona e levitëve e nga prona e qytetit, ndërmjet Judës e Beniaminit, është prona e princit.

23 Fiseve të tjera: nga lindja në perëndim: pjesa e Beniaminit.

24 Gjatë kufirit të Beniaminit prej lindjes në perëndim: pjesa e Simonit.

25 P ër kufi të Simonit, prej lindjes në perëndim: pjesa e Isaharit.

26 Për kufi të Isaharit, prej lindjes në perëndim: pjesa e Zabulonit.

27 Për kufi të Zabulonit, prej lindjes deri në bregun e detit: pjesa e Gadit.

28 Për kufi të Gadit, prej lindjes në anë të jugut, në drejtim të jugut kufiri kalon prej Tamarës deri në ujërat Meribatkades, përgjatë përroit deri në Detin e Madh.

29 Kjo është toka për të cilën do të hidhni short për fiset e Izraelit, këto janë pjesët e tyre ‑ thotë Zoti Hyj.

Dyert e Jerusalemit

30 Këto janë daljet e Qytetit: në krahun e veriut ‑ masa e së cilës është pesëqind e katër mijë kute, 31 dyert e Qytetit do të quhen me emrin e fiseve të Izraelit. Tri dyer në veri: Dera e Rubenit, Dera e Judës e Dera e Levit. 32 Në anën e lindjes ‑ pesëqind e katër mijë ‑ tri dyer: Dera e Jozefit, Dera e Beniaminit e Dera e Danit. 33 Në anën e mesditës ‑ masa e së cilës pesëqind e katër mijë ‑ tri dyer: Dera e Simonit, Dersa e Isaharit e Dera e Zabulonit. 34 Në anën e perëndimit ‑ pesëqind e katër mijë ‑ tri dyer: Dera e Gadit, Dera e Aserit e dera e Neftaliut. 35 Gjithsej rreth e rreth: tetëmbëdhjetë mijë kute.

Emri i Qytetit

Prej asaj dite Qyteti do të quhet:

ZOTI ‑ ËSHTË ‑ ATY.