Nehemia: 1. Thirrja e Nehemisë: misioni i tij në Judejë

1

1 Fjalët e Nehemisë, të birit të Helkisë. Në muajin Kasleu të vitit njëzet, kur unë isha në qytezën Suzë, 2 erdhi Hananiu, një nga vëllezërit e mi, me disa burra nga Juda. I pyeta për judenjtë ‑ për Tepricën e shpëtuar nga shpërngulja ‑ dhe për Jerusalemin. 3 Ata më thanë “Teprica që shpëtoi nga shpërngulja dhe gjenden në krahinë, janë si është më zi në mjerim e të poshtëruar. Muret e Jerusalemit janë të rrënuara e dyert e tija të djegura nga zjarri.”

4 Kur i dëgjova këto fjalë, u ula e qava. Mbajta zi për disa ditë: agjërova e u lutja në praninë e Hyjit të qiellit. 5 E thashë:

“Po të lutem, o Zot, Hyji qiellor, Hyji i fuqishëm, i madhërueshëm e i tmerrshëm, ti që e mban bësëlidhjen dhe s’ua mungon dashurinë atyre që të duan e i mbajnë urdhërimet e tua!

6 Deh, le të jenë veshët e tu të gatshëm e sytë e tu të hapur për ta dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd! Po ta drejtoj tani, ditë e natë, për bijtë e Izraelit, shërbëtorët e tu e po i pranoj mëkatet e bijve të Izraelit, me të cilat mëkatuan kundër teje. Kam mëkatuar edhe unë dhe shtëpia e tim eti. 7 Bëmë si është më zi kundër teje e nuk i mbajtëm urdhërimet, ligjet e zakonet, që ia dhe Moisiut, shërbëtorit tënd.

8 Të bie ndër mend fjala që si urdhër ia dhe Moisiut, shërbëtorit tënd: ‘Nëse do të ma shkelni besën, unë do t’ju tres ndër popuj paganë; 9 por prapë, nëse do të ktheheni kah unë, do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i zbatoni ato, edhe nëse do të keni për të qenë të humbur në skajin e qiellit, edhe prej andej do t’ju bashkoj e do t’ju kthej në vendin që e kam zgjedhur për të banuar Emri im.’ 10 Ja, pra, këta janë shërbëtorët e tu e populli yt që ti i shpërbleve me fuqinë tënde të madhe e me dorën tënde të pushtetshme.

11 Deh, po të lutem, o Zot, le të jetë veshi yt i gatshëm ta dëgjojë lutjen e shërbëtorit tënd dhe lutjen e shërbëtorëve të tu që dëshirojnë ta kenë frikën e Emrit tënd. Deh prija sot të mbarën shërbëtorit tënd e bëj që të gjejë hir para syve të këtij njeriu.”

Unë aso kohe isha kuptar i mbretit.

Nehemia: 2. Vendimi për rindërtimin e mureve të Jerusalemit

2

1 Në muajin e Nisanit të vitit njëzetë të mbretit Artakserks, kur ishte koha e pijes, e mora verën dhe ia ofrova mbretit. Kurrë më parë para tij nuk kisha qëndruar i trishtuar. 2 Prandaj mbreti më pyeti: “Pse je i pikëlluar në fytyrë? E pra, s’më dukesh se je i sëmurë! S’është gjë tjetër, por një farë pikëllimi në zemër.” Unë atëherë u tremba për së forti 3 e i thashë mbretit: “Le të rrojë mbreti sa malet! Por unë si të mos e kem fytyrën e trishtuar, kur qyteti ku janë varrosur prindërit e mi është i shkretuar e dyert e tija të djegura me zjarr?” 4 Atëherë mbreti më tha: “Çfarë, pra, dëshiron?” Atëherë iu luta Hyjit të qiellit 5 e i thashë mbretit: “Nëse mbretit i duket punë e mirë dhe, nëse është i kënaqur me shërbëtorin e vet, më dërgo në Jude në qytetin e varrezave të etërve të mi që ta rindërtoj.”

6 Mbreti që e kishte mbretëreshëm ndenjur përbri, më pyeti: “Sa kohë do të zgjasë udhëtimi yt? Kur do të kthehesh?” Pasi ia caktova kohën, mbretit i pëlqeu të më dërgojë. 7 Pastaj i thashë mbretit: “Nëse mbretit i duket punë e mirë, do të kisha nevojë të më jepen disa letra për qeveritarët e Përtejlumit që të më lejojnë të kaloj deri në Jude. 8 Gjithashtu edhe një letër për Asafin, rojtarin e pyllit të mbretit që të më japë lëndë për ndërtimin e dyerve të qytezës së Tempullit, të mureve e të shtëpisë ku do të banoj.” E mbreti m’i dha sepse dora bamirëse e Hyjit tim ishte mbi mua.

9 Arrita te qeveritarët e Përtejlumit dhe ua dhashë letrat. Mbreti më kishte dhënë si përcjellje disa udhëheqës ushtarakë dhe disa kalorës. 10 Kur e mori vesh Sanabalat Horoniti dhe shërbëtori Tobi Amoniti, u erdhi shumë keq që kishte ardhur dikush për t’u kujdesuar për të mirën e bijve të Izraelit.

Vendimi për rindërtimin e mureve të Jerusalemit

11 Si erdha në Jerusalem, ndenja aty tri ditë. 12 Atëherë u ngrita natën i shoqëruar nga disa burra, pa i treguar askujt se Hyji im ma kishte frymëzuar zemrën të bëj diçka për Jerusalemin. S’kisha me vete tjetër kafshë, përveç asaj në të cilën kalëroja unë. 13 Dola natën nëpër derën e Luginës dhe u drejtova drejt Burimit të Dragoit e pastaj drejt derës së Mbeturinave duke i vërejtur muret e Jerusalemit si ishin të rrënuara dhe dyert e djegura nga zjarri. 14 Pastaj kalova kah dera e Burimit dhe kah Peshkorja e Mbretit e pastaj kafsha të cilën kaloroja nuk kishte mundësi të kalonte. 15 Atëherë u ngjita natën luginës duke shikuar muret; pastaj hyra për derën e Luginës dhe u ktheva në shtëpi.

16 Këshilltarët nuk dinin as ku kisha shkuar as çfarë bëja.

Deri atëherë nuk u kisha treguar asgjë as judenjve, as priftërinjve, as parisë, as këshilltarëve, as përgjegjësve të vendit.

17 Atëherë u thashë: “Ju po e shihni mjerimin në të cilin gjendemi: Jerusalemi është i rrënuar dhe dyert e tija të djegura. Ejani t’i ndërtojmë muret e Jerusalemit e të mos jemi më loja e dheut!” 18 Atëherë u tregova se dora bamirëse e Hyjit tim ishte mbi mua si dhe fjalët e mbretit që m’i kishte thënë. Ata thanë: “Të ngritemi e të ndërtojmë!” Dhe ia hynë plot fuqi kësaj pune së mirë.

19 Por kur dëgjuan Sanabalat Horoniti, Tobia, shërbëtori Amanit dhe Gosem Arabi, na vunë në lojë, na përbuzën e na thanë:

“Çfarë po bëni ashtu? A doni të ngriteni kundër mbretit?”

20 Unë u përgjigja kështu: “Vetë Hyji i qiellit po na e prin të mbarën dhe ne jemi shërbëtorët e tij dhe ia hymë ndërtimit, kurse ju as s’keni pjesë, as të drejtë dhe as ndonjë kujtim në Jerusalem.”

 

Nehemia: 3. Ndërtuesit vullnetarë

3

1 Kryeprifti Eliasib dhe vëllezërit e tij priftërinj ia hynë të ndërtojnë derën e Deleve; i ndërtuan krahët dhe i vunë shtatkat e vazhduan ndërtimin deri te pirgu Meah e deri te pirgu Hananeel. 2 Në vazhdim të tyre punuan njerëzit e Jerikut e në vazhdim të këtyre ndërtoi Zakuri, biri Amriut.

3 Derën e Peshqve e ndërtuan bijtë e Asnaasë. I forcuan praqet, i punuan krahët, i vunë shtatkat dhe shulat. Përbri tyre ndërtoi Marimuthi, i biri i Urisë së Akusit. 4 Përbri tij ndërtoi Mosolami, i biri i Barakisë së Mesezebelit. Përbri tij rindërtoi Sadoku, biri i Baanës. 5 Pranë tyre ndërtuan Tekuenajt, kurse bujarët e tyre nuk deshën ta ulin qafën për të punuar në veprën e Zotit të tyre.

6 Derën e Vjetër e rindërtuan Jojada, biri i Fasesë, dhe Mosolami, biri i Besodisë. Ata e punuan me dërrasa, i ndreqën krahët, shtyllakët dhe shulat. 7Përbri tyre rindërtuan Meltia Gabaonas, Jadon Meronati, njerëzit nga Gabaoni e Masfa, të nënshtruarit e qeveritarit të krahinës së Përtejlumit. 8 Përkrah tyre rindërtoi Ezieli, biri i Arajës, artar, përkrah tij rindërtoi Anania, erërapunues. Këta e forcuan Jerusalemin deri te muri i Gjerë. 9 Përbri tij rindërtoi Rafaja, biri i Hurit, kryetari i gjysmës së rrethit të Jerusalemit. 10 Afër tij rindërtoi Jedaja, biri i Haromafit, përballë shtëpisë së vet. Përbri këtij rindërtoi Hatusi, biri i Hasebonisë. 11 Pjesën tjetër, deri te pirgu i Furrave e rindërtoi Melkia, biri i Heremit dhe Hasubi, biri i Fahatmoabit. 12 Përbri tyre rindërtoi Selumi, biri i Alohesit, kryetari i gjysmës së rrethit të Jerusalemit dhe bijat e tija.

13 Derën e luginës e rindërtoi Hanuni dhe banorët e Zanoesë: ata e rindërtuan derën, i forcuan krahët e saj, shulat dhe shtatkat, dhe një mijë kute mur deri te dera e Mbeturinave. 14 Derën e Mbeturinave e rindërtoi Melkia, biri i Rekabit, kryetari i rrethit të Betkaremit. Ai e rindërtoi, i forcoi krahët, shtyllakët dhe shulat.

15 Kurse derën e Burimit e përmirësoi Selumi, biri i Holhozës, kryetari i rrethit të Masfës. Ai e rindërtoi derën, i mbuloi dhe i forcoi krahët e saj, shulat dhe shtyllakët si edhe murin e peshkores Siloe që shkon prej kopshtit të mbretit deri te shkallët që zbresin nga Qyteti i Davidit. 16 Përtej tij rindërtoi Nehemia, biri i Azbokut, kryetari i gjysmës së rrethit Betsur deri përballë Varreve të Davidit deri te pesh‑ korja mjeshtrore e deri te shtëpia e Trimave. 17 Përtej tij rindërtuan levitët: Rehumi, biri i Baniut. Përbri tij rindërtoi Hesebia, kryetari i gjysmës së rrethit të Cejlës, për krahinën e vet. 18 Përtej tij rindërtuan vëllezërit e tij: Bavaji, biri i Enadadit, kryetari i gjysmës tjetër të rrethit të Cejlës.

19 Përbri tij rindërtoi, Azeri, biri i Jezuasë, ndërsa kryetari i Masfës, pjesën tjetër përballë Përpjetëzës së Armatores në Kënd.

20 Përtej tij rindërtoi Baruku, biri i Zakajit, pjesën tjetër nga Këndi e deri te dera e shtëpisë së kryepriftit Eliasib. 21 Përtej tij rindërtoi Merimuthi, biri i Urisë së Hakusit, pjesën e dytë nga dera e shtëpisë së Eliasibit deri te mbarimi i shtëpisë së Eliasibit. 22 Përtej tij rindërtuan priftërinjtë që jetonin në rrethina. 23 Përtej tyre rindërtoi Beniamini e Hasubi përballë shtëpisë së vet. Përtej tyre rindërtoi Azaria, biri i Maasisë së Ananisë përbri shtëpisë së vet. 24 Përtej tij rindërtoi Benuji, biri i Henadadit ‑ pjesën e dytë që fillon nga shtëpia e Azarisë deri te këndi, në bërryl. 25 Faleli, biri i Oziut, përballë këndit të pirgut që ngritet mbi Shtëpinë e Epërme të mbretit, e që gjendet në oborr të burgut. 26 Pas tij Fadaja, biri i Farosit, rindërtoi deri te dera e Ujërave, në drejtim të lindjes e deri te pirgu i Lartësuar. 27 Përtej tij pjesën tjetër nga kulla e madhe e Lartë deri te muri i Tempullit e rindërtuan tekuenët.

28 Kurse në pjesën e lartë nga dera e Kuajve, e ripërtëritën priftërinjtë, secili përballë shtëpisë së vet. 29 Përtej tyre rindërtoi Sadoku, biri i Emerit, përballë shtëpisë së vet. Përtej tij rindërtoi Semaja, biri i Sekenisë, rojtari i Derës Lindore. 30 Përtej tij rindërtoi Hanania, biri i Selemisë, dhe Hanuni i gjashti djalë i Selefit, i cili e ndreqi pjesën tjetër. Përtej tij rindërtoi Mosolami, biri i Barakisë, përballë banesës së vet. 31 Përtej tij rindërtoi Melkia, arpunuesi, deri te banesa e të dhuruarve dhe e tregtarëve përballë derës së Mbikëqyrjes deri në sallën e sipërme të këndit. 32 Ndërmjet të dhomës së lartë të këndit e deri te dera e Deleve ndërtuan arpunuesit dhe tregtarët.

Kundërshtimet e armiqve të judenjve

33 Kur Sanabalati mori vesh se ne po i ndërtonim muret, u hidhërua e u zemërua shumë, i vuri në lojë judenjtë 34 dhe tha para vëllezërve të vet dhe bujarëve të Samarisë: “Çfarë duan të bëjnë këta judenj marroqa? Po a thua do t’ ia dalin? Vallë, a pse bëjnë fli, do ta kryejnë për një ditë? Vallë, a do të mund t’i ringjallin gurët nga grumbulli i pluhurit, të djegur nga zjarri?” 35 Po ashtu edhe Tobi Amoniti, që ishte përkrah tij, tha: “Lëri le të ndërtojnë! Këto mure të tyre të gurit mund t’i rrënojë edhe dhelpra më një të kaluar të saj!”

36 Dëgjoji, o Hyji ynë, se sa na përbuzin! Ktheje përbuzjen mbi kokën e tyre dhe bëj ta sprovojnë poshtërimin në skllavëri! 37 Mos ua mbulo fajësinë dhe mëkati i tyre mos u shleftë para syve të tu, sepse të fyen ty para syve të ndërtuesve!

38 Kështu ne vijonim ndërtimin e mureve dhe i kryem gjithkund deri në gjysmën e lartësisë. Populli e kishte marrë me gjithë zemër punën.

Nehemia: 4. Sanabalati, Tobia, arabët, amanitët dhe azotët

4

1 Kur Sanabalati, Tobia, arabët, amanitët dhe azotët morën vesh se rindërtimi i mureve të Jerusalemit po shkonte për së mbari ‑ sepse po mbylleshin pjesët e rrënuara ‑ u hidhëruan për së tepërmi 2 dhe të gjithë së bashku u përbetuan se do të vijnë të luftojnë kundër Jerusalemit dhe se do të na bëjnë pështjellime.

3 Atëherë ne iu lutëm Hyjit tonë dhe vumë roje ditë e natë kundër tyre. 4 Juda thoshte: “Bartësit s’kanë më fuqi, rrënojat janë të mëdha dhe kurrë s’do të arrijmë t’i ndërtojmë muret!” 5 Kurse armiqtë tanë thanë: “Pa pritur e pa kujtuar do të sulemi kundër tyre, do t’i vrasim dhe puna do t’u mbetet e pa kryer.”

6 Ndërsa çifutët që jetonin afër tyre, erdhën dhjetë herë e na thanë këtë gjë, nga çdo vend që vinin tek ne 7 prandaj u ulëm në vende të ulta e të hapura pas murit dhe e rendita popullin sipas vëllazërish me shpata, heshta e harqe të veta.

8 Pasi i shikova gjithkah, u ngrita e u thashë bujarëve, parisë dhe popullit tjetër: “Mos u trembni prej tyre: e mbani ndër mend të Madhin Zot dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë dhe shtëpitë tuaja!.”

9 Kur kundërshtarët tanë morën vesh se ishim të njoftuar për këto, dhe se Hyji e kishte asgjësuar synimin e tyre, atëherë të gjithë u kthyem në mure, secili në punën e vet. 10 Prej asaj dite gjysma e djelmoshave të mi punonte e gjysma tjetër i mbante heshtat, mburojat, shigjetat dhe pancirët, kurse krerët qëndronin pas shtëpisë së Judës, 11 i cili e kishte ndërtuar murin. Edhe ata që bartnin, edhe ata që ngarkonin, me njërën dorë punonin e me të tjetrën mbanin shpatën. 12 Ndërtuesit të gjithë e kishin të ngjeshur për ijësh nga një shpatë dhe kështu muronin. Burizani qëndronte përbri meje.

13 Atëherë unë u thashë bujarëve, krerëve dhe vegjëlisë: “Punimet janë të mëdha dhe të gjera, ndërsa ne jemi të shpërndarë nëpër mure larg njëri‑tjetrit: 14 si të dëgjoni se bie boria, atje mblidhuni së bashku rreth nesh. Hyji ynë do të luftojë për ne.” 15 Kështu e vazhdonim punën ‑ gjysma jonë mbante armët prej agimit e deri kur dalin yjet e para.

16 Aso kohe gjithashtu i thashë popullit: “Secili me shërbëtorin e vet le ta kalojë natën në Jerusalem: me radhë do të bëjmë rojë natën e ditën dhe do të punojmë.” 17 As unë, as vëllezërit e mi as shërbëtorët e mi dhe as roja që më përcillte, nuk i zhveshnim petkat: secili prej nesh e mbante shpatën në anën e vet të djathtë.

Nehemia: 5. Vështirësitë shoqërore në kohën e Nehemisë. Mbrojtja e administratës së tij

5

1 Ankesë e madhe u ngrit aso kohe nga vegjëlia dhe gratë kundër vëllezërve të tyre çifutë. 2 Kishte nga ata që thoshin: “I kemi dhënë peng bijtë e bijat tona për drithëra e bukë që të mbetemi gjallë!” 3 Kishte të tjerë që thoshin: “Na duhet t’i lëmë peng arat, vreshtat dhe shtëpitë tona për të marrë drithëra në kohën e urisë.” 4 Tjerë pastaj thoshin: “Huazuam para për t’ia paguar tatimet mbretit për arat dhe vreshtat tona. 5 Mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe si bijtë e tyre ashtu janë edhe bijtë tanë; por ne duhet t’i japim skllevër bijtë dhe bijat tona, madje disa prej tyre janë skllavëruar dhe nuk kemi se me çka t’i shpërblejmë, sepse arat dhe vreshtat tona janë bërë pronë e tjetërkujt.”

6 U hidhërova shumë kur e dëgjova ankesën e tyre dhe këto fjalë. 7 Pasi persiata mirë me mend, i prozhmova ashpër bujarët dhe krerët, me fjalët: “Ju po i ngarkuaki vëllezërit tuaj dhe po u merrkeni kamata!” Dhe kundër tyre thirra një kuvend të madh. 8 Dhe u thashë: “Ju e dini se ne, sipas mundësive tona, i kemi kthyer nga skllavëria vëllezërit tanë judenj, që u qenë shitur paganëve! Vallë, a do t’i shitni ju vëllezërit tuaj tani që ne do t’i shpërblejmë përsëri?” Heshtën se nuk ditën se si të përgjigjen.

9 Atëherë vijova: “Kjo që po bëni ju nuk është punë e mirë! Pse nuk ecni me frikën e Hyjit tonë që të shpëtojmë nga talljet e paganëve, armiqve tanë? 10 Unë, vëllezërit e mi dhe djelmoshat e mi, u dhamë para e drithëra hua shumë vetëve; nuk do t’ua kërkojmë më këto. 11 Kthejuani sot arat e tyre, vreshtat, ullishtat dhe shtëpitë e tyre dhe faluani përqindjen e parave, të grurit, të verës e të vajit që ua keni caktuar.” 12 Ata përgjigjën: “Do t’ua kthejmë dhe asgjë nuk do të kërkojmë prej tyre. Do të bëjmë siç po thua ti!” Unë atëherë i thirra priftërinjtë dhe i bëra të përbetohen se do të bëjnë siç u tha. 13 Për më tepër i shkunda shqekun e petkut tim dhe thashë: “Kështu e shkundtë Hyji nga shtëpia e vete dhe nga prona e tij, secilin prej jush që s’do ta mbajë këtë premtim! Kështu u shkundtë e gjë mos i mbettë!” Mbarë populli bërtiti: “Amen!” dhe i dha lavdi Hyjit. Populli e mbajti fjalën e dhënë.

14 Dhe, prej ditës kur mbreti më urdhëroi të jem qeveritar i tokës së Judës, nga viti njëzetë e deri në vitin tridhjetedytë të mbretërimit të Artakserksit, për dymbëdhjetë vjet, pra, as unë as vëllezërit e mi nuk e hëngrëm bukën e paraparë për qeveritarin. 15 Por qeveritarët e mëparshëm, që kishin qenë para meje, e kishin rënduar popullin dhe marrë prej tyre çdo ditë nga dyzet sikla të argjendit për bukë. Kështu edhe nëpunësit e tyre e kishin shtypur popullin. Unë nuk veprova kështu sepse e droja Hyjin. 16 Madje as nuk iu ndava rindërtimit të mureve e s’bleva asnjë copë tokë. Të gjithë djelmoshat e mi kanë qenë përherë aty, në punë vazhdimisht.

17 Në tryezën time kanë ngrënë judenj e bujarë, njëqind e dyzet burra si edhe të tjerët që vinin tek ne prej kombeve që ishin përreth nesh. 18 Përgatitej çdo ditë me shpenzimet e mia një ka, gjashtë desh të zgjedhur, pa numëruar shpendët, dhe çdo të dhjetën ditë sillej verë e shumtë për të gjithë. Për më tepër kurrë nuk i kërkova të ardhurat që më takonin si qeveritar, sepse populli edhe ashtu ishte tepër i rënduar.

19 O Hyji im, kujtohu, për të mirën time, për gjithçka që kam bërë për të mirën e këtij populli!

Nehemia: 6. Ngatërresat e kundërshtarëve të Nehemisë. Përfundimi i mureve

6

1 Kur Sanabalati, Tobia, Gosemi Arab dhe armiqtë tanë të tjerë, dëgjuan se po e përfundoja ndërtimin e mureve dhe se në to s’kishte mbetur asnjë vrimë ‑ megjithëse deri atëherë ende nuk i kisha vendosur krahët e dyerve në dyer ‑ 2 Sanabalati e Gosemi më çuan fjalë: “Eja të takohemi në Cefirim, në fushën Ono.” Ata kishin menduar të më bëjnë ndonjë të keqe.

3 Këndej edhe unë ua dërgova lajmëtarët e mi me këtë porosi: “Jam tepër i zënë me punë e s’mund të zbres atje: nëse zbres atje të takohem me ju puna do të ndërpritet?”

4 Katër herë ma dërguan po të njëjtën thirrje dhe unë ua ktheva të njëjtën përgjigje.

5 Sanabalati për të pestën herë ma dërgoi të njëjtën grishje dhe e dërgoi shërbëtorin e vet që ma solli një letër të hapur, në të cilën shkruante: 6 “Është hapur zëri ndër popuj ‑ ndërsa Gosemi pohon ‑ se ti dhe judenjtë mendoni të bëni kryengritje dhe prandaj i ndërtoni muret dhe se dëshiron të bëhesh mbret mbi ta. Është përhapur fjala 7 se i ke caktuar edhe profetët që ta shpallin suksesin tënd në Jerusalem dhe të thonë: ‘Judeja ka mbret!’ Tashti këto fjalë do t’i shkojnë mbretit në vesh. Prandaj hajde të këshillohemi së bashku.”

8 Por vetë i përgjigja: “Asgjë s’ka ndodhur prej gjithë atyre që ti i pohon: të gjitha këto janë trillime të mendjes sate!” 9 Sepse ata donin të na trembnin e u thoshte mendja: “Do t’u zihen krahët nga puna dhe s’do ta kryejnë kurrë.” Ndërsa mua përkundrazi, edhe më shumë më zhdërvilloheshin krahët!

10 Shkova në shtëpinë e Semajës, të birit të Dalajës së Metabeelit, që qe mbyllur në shtëpi. Ai tha:

“Të shkojmë së bashku në Tempullin e Hyjit,

në mes të Tempullit:

t’i mbyllim mirë dyert e Tempullit,

sepse do të vijnë për të të vrarë;

Po, që sonte, do të vijnë të të vrasin!”

11 Unë i përgjigja: “Vallë a ikën një njeri si jam unë? Cili burrë, si unë, do të hynte në Tempull për ta shpëtuar jetën? Jo, unë nuk hyj!”

12 Ma mori mendja se nuk e kishte dërguar Hyji, por e kishin paguar Tobia e Sanabalati të më profetizojë. 13 E vërtet, kishte pasë marrë para që të ma shtinte frikën dhe të gaboja e të kishin arsye të më përqeshnin e të flisnin keq për mua. 14 Mos i harro, Hyji im, Tobinë e Sanabalatin, për gjithçka kanë vepruar; mos e harro as profeteshën Noadi, as profetët e tjerë që deshën të më frikësojnë!

15 Me njëzet e pesë të muajit Elul u kryen muret, për pesëdhjetë e dy ditë. 16 Kur e morën vesh të gjithë armiqtë tanë dhe kur panë të gjithë paganët që ishin përreth nesh, pasi e rrahën mendjen e vet, e kuptuan se kjo vepër ishte e kryer prej Hyjit.

17 Ato ditë shumë bujarë judenj i dërguan shumë letra Tobisë, po edhe Tobia u dërgoi atyre. 18 Sepse në Jude shumë ishin lidhur me të me përbetim, pasi ai ishte dhëndri i Sekenisë, të birit të Aresë, edhe Johanani, biri i tij, e kishte marrë për grua të bijën e Mosolamit, të birit të Barakisë. 19 S’ pushonin duke e lavdëruar atë para meje e fjalët e mia ia përcillnin atij. Tobia dërgonte letra për të më frikësuar.

Nehemia: 7. Ripopullzimi i Jerusalemit

7

1 Pasi u rindërtuan muret, dhe pasi i vendosa dyert, i caktova edhe rojet e dyerve, këngëtarët dhe levitët në detyrat e tyre. 2 Qeverisjen e Jerusalemit ia besova Hananiut, vëllaut tim, dhe Hananisë, prijësit të kështjellës ‑ sepse ky ishte njeri i besueshëm dhe e dronte Hyjin më tepër se të tjerët ‑ 3 dhe u thashë: “Të mos hapen dyert e Jerusalemit para se të ngrohë dielli; dhe kur dielli është lart, të mbyllen e t’ u vihen shulat. Rojet le të merren nga banorët e Jerusalemit: secili në ndërresën e vet dhe secili para derës së vet.

Ripopullzimi i Jerusalemit

4 Qyteti ishte shumë i gjerë dhe i madh, por në të kishte pak popullsi dhe nuk kishte shtëpi të ndërtuara.

5 Hyji im atëherë më frymëzoi dhe i bashko‑ va bujarët, krerët dhe vegjëlinë për ta bërë numërimin. E gjeta librin e numërimit të atyre që kishin ardhur të parët. Në të gjeta të shkruar:

Regjistri i sionistëve të parë

6 Këta janë banorët e krahinës që u riatdhe‑ suan e që Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, i kishte shpërngulur dhe të cilët u kthyen në Jerusalem dhe në Jude, secili në qytetin e vet. 7 Ata u riatdhesuan me Zorobabelin, Jesuanë, Neheminë, Azarinë, Raaminë, Nahamaniun, Mardokeun, Belsanin, Mesfaratin, Beguajin, Nahumin e me Baanën.

Numri i njerëzve të popullit të Izraelit:

18 Bijtë e Farosit: dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e dy.

9 Bijtë e Safatisë: treqind e shtatëdhjetë e dy.

10 Bijtë e Aresë: gjashtëqind e pesëdhjetë e dy.

11 Bijtë e Fahatmoabit, d. m. th. bijtë e Jozuehit e të Joabit: dy mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë.

12 Bijtë e Elamit: një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër.

13 Bijtë e Zetusë: tetëqind e dyzet e pesë.

14 Bijtë e Zakajit: shtatëqind e gjashtëdhjetë.

15 Bijtë e Benujit: gjashtëqind e dyzet e tetë.

16 Bijtë e Bebajit: gjashtëqind e njëzet e tetë.

17 Bijtë e Azgadit: dy mijë e treqind e njëzet e dy.

18 Bijtë e Adonikamit: gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë.

19 Bijtë e Beguajit: dy mijë e gjashtëdhjetë e shtatë.

20 Bijtë e Adinit: gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë.

21 Bijtë e Aterit, që rrjedhin nga Ezekia: nëntëdhjetë e tetë.

22 Bijtë e Hasumit: treqind e njëzet e tetë.

23 Bijtë e Besajit: treqind e njëzet e katër.

24 Bijtë e Harefit: njëqind e dymbëdhjetë.

25 Bijtë e Gabaonit: nëntëdhjetë e pesë.

26 Bijtë e Betlehemit e të Netufës: njëqind e tetëdhjetë e tetë.

27 Bijtë e Anatotit: njëqind e njëzet e tetë.

28 Njerëzit e Betasmotit: dyzet e dy.

29 Njerëzit e Kariatiarimit, Cefirës e Berotit: shtatëqind e dyzet e tre.

30 Njerëzit e Ramës e të Gabaasë:gjashtëqind e njëzet e një.

31 Njerëzit e Makmasit: njëqind e njëzet e dy.

32 Njerëzit e Betelit dhe të Hajit: njëqind e njëzet e tre.

33 Njerëzit e Nebos tjetër: pesëdhjetë e dy.

34 Njerëzit e Elamit tjetër: një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër.

35 Bijtë e Harimit: treqind e njëzet.

36 Bijtë e Jerikos: treqind e dyzet e pesë.

37 Bijtë e Lodit, të Hadidit e të Onos:

shtatëqind e njëzet e një.

38 Bijtë e Senaasë: tri mijë e nëntëqind e tridhjetë.

39 Priftërinjtë:

Bijtë e Jedajës, nga vëllazëria e Jozuehut: nëntëqind e shtatëdhjetë e tre.

40 Bijtë e Emerit: një mijë e pesëdhjetë e dy.

41 Bijtë e Fashurit: një mijë e dyqind e dyzet e shtatë.

42 Bijtë e Harimit: një mijë e shtatëmbëdhjetë.

43 Levitët:

Bijtë e Jezuas, d. m. th. bijtë e Kadmihelit, të Binujit e të Odovisë: shtatëdhjetë e katër.

44 Kengëtarët:

Bijtë e Asafit: njëqind e dyzet e tetë.

45 Derëtarët:

Bijtë e Selumit, bijtë e Aterit, bijtë e Telmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitës, bijtë e Sobait: njëqind e tridhjetë e tetë.

46 Të dhuruarit:

Bijtë e Sihës, bijtë e Hasufës, bijtë e Tabaotit,

47 bijtë e Cerosit, bijtë e Siasë, bijtë e Fadonit,

48 bijtë e Lebanës, bijtë e Hagabës, bijtë e Selmajit,

49 bijtë e Hananit, bijtë e Gidelit, bijtë e Gaherit,

50 bijtë e Raajës, bijtë e Rasinit, bijtë e Nekodës,

51 bijtë e Gazamit, bijtë e Azës, bijtë e Faseasë,

52 bijtë e Besajit, bijtë e Meunëve, bijtë e Nefusve,

53 bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufës, bijtë e Harhurit,

54 bijtë e Baslutit, bijtë e Mahidës, bijtë e Harsës,

55 bijtë e Berkosit, bijtë e Sisarës, bijtë e Temës,

56 bijtë e Nasisë, bijtë e Hatifës.

57 Bijtë e shërbëtorëve të Salomonit:

bijtë e Sotajit, bijtë e Soferetit, bijtë e Ferudës,

58 bijtë e Jaalës, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit,

59 bijtë e Safatisë, bijtë e Hatilit, bijtë e Fokeretit, bijtë e Hasebaimit, bijtë e Amonit.

60 Të gjithë të dhuruarit dhe bijtë e shërbëtorëve të Salomonit: treqind e nëntëdhjetë e dy.

61 Kurse këta njerëz që erdhën nga Telmela, Telharsa, Herubi, Adoni e Emeri e nuk mundën të dëshmonin se familjet dhe fisi i tyre kishin prejardhje izraelite:

62 bijtë e Dalajës, bijtë e Tobisë, bijtë e Nekodës: gjashtëqind e dyzet e dy.

63 Nga priftërinjtë:

Bijtë e Hobisë, bijtë e Akosit, bijtë e Berzelajit, që kishte marrë për grua një nga bijat e Berzelajit Galaadas dhe u quajt me emrin e tyre. 64 Këta i kërkuan listat e breznive të veta por nuk i gjetën dhe qenë përjashtuar nga priftëria. 65 Qeveritari u urdhëroi të mos hanë nga gjërat e shenjtëruara deri që të paraqitet një prift për Urim e Tumim.

66 Bashkësia kishte gjithsej: dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë vetë, 67 pa i llogaritur shërbëtorët e shërbëtoret e tyre që ishin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë. Kishte edhe dyqind e dyzet e pesë këngëtarë e këngëtare.

68 Kishin shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka: 69 gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë.

70 Disa nga krerët e familjeve dhanë kontribute për ndërtim. Qeveritari dha për thesarin: një mijë drakma ari, pesëdhjetë gota, pesëqind e tridhjetë petka priftërinjsh.

71 Disa krerë të familjeve dhanë për thesarin e punëve: njëzet mijë drakma ari dhe dy mijë e dyqind mina argjendi. 72 Populli tjetër dha: njëzet mijë drakma ari, dy mijë mina argjendi dhe gjashtëdhjetë e shtatë palë petka priftërinjsh.

73 Priftërinjtë dhe levitët u vendosën me banim në Jerusalem, kurse derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, të dhuruarit dhe të gjithë Izraelitët tjerë në qytetet e veta.

Nehemia: 8. Lindja e judaizmit: Esdra e lexon Ligjin. Festa e Tendave

8

1 Kur arriti muaji i shtatë, izraelitët ishin vendosur në qytetet e veta.

Atëherë u bashkua mbarë populli si një njeri i vetëm në sheshin që është para derës së Ujërave dhe i thanë skribit Esdra ta sjellë librin e Ligjit të Moisiut, që Zoti ia kishte dhuruar Izraelit. 2 Atëherë prifti Esdra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. 3 Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lëxonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit.

4 Skribi Esdra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtë të tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtë ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami. 5 Esdra e hapi Librin para syve të terë popullit ‑ sepse qëndronte pak më lart se populli ‑ dhe, kur e hapi librin, u ngrit në këmbë i tërë populli. 6 Atëherë Esdra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart, u përgjigj: “Amen, amen!” pastaj u përkulën dhe e adhuruan Hyjin me fytyrën e ulur deri në tokë.

7Levitët Jezuai, Baniu, Serebia, Jamini, Akubi, Septaji, Hodia, Maasia, Celita, Azaria, Jozabedi, Hanani dhe Falaja, ia shpjegonin popullit Ligjin, ndërsa populli qëndronte në vendin e vet. 8 Dhe Librin e Ligjit të Hyjit e lëxonin pjesë pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.

9 Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe skribi Esdra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. 10 Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.” 11 Levitët e qetësonin mbarë popullin dhe thoshin: “Pushoni, sepse është ditë e shenjtë e Zotit e s’bën të trishtoheni!” 12 Mbarë populli shkoi të hante, të pinte e t’u çonte pjesë atyre që s’kishin, e të kremtonte, sepse i kishin kuptuar fjalët që ua kishin shtjelluar.

13 Ditën e dytë u mblodhën te skribi Esdër zotët e shtëpive të mbarë popullit, priftërinjtë dhe levitët, për t’i shqyrtuar fjalët e Ligjit. 14 Në Ligj e gjetën të shkruar se Zoti e ka dhënë me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit gjatë festës të të shtatit muaj, duhet të banojnë nën tenda.

15 Sa e dëgjuan këtë, e shpallën dhe e përhapën në të gjitha qytetet e veta dhe në Jerusalem: “Dilni në mal e sillni gema ulliri, degëza ulliri të egër, mërsine, degë myrtash dhe palmash si dhe degë drujsh tjerë gjethorë për të ndërtuar tana siç është e shkruar.”

16 Populli doli, i solli dhe i ndërtuan tanat, secili në pullazin e vet, në oborret e veta, në oborret e Shtëpisë së Hyjit, në sheshin e derës së Ujërave dhe në sheshin e derës së Efraimit. 17 Mbarë, pra, bashkësia e atyre që u riatdhesuan nga shpërngulja, i punuan tanat dhe banuan në to. Prej kohës së Jozuehut, birit të Nunit, izraelitët nuk e kishin bërë këtë gjë prandaj u bë gëzim shumë i madh.

18 Esdra e lexonte Librin e Ligjit të Hyjit çdo ditë, nga dita e parë e deri në të sprasmen. U kremtua shtatë ditë me radhë ndërsa ditën e tetë u bë tubimi, si është përcaktuar.

Nehemia: 9. Riti i shpërblimit

9

1 Të njëzetekatërtën ditë të këtij muaji, bijtë e Izraelit, të veshur me thasë e me kokë të pluhurosur, u bashkuan për të agjëruar. 2 Fara e Izraelit u nda nga të gjithë të huajt, afroheshin, i rrëfenin mëkatet e veta dhe fajësinë e etërve të vet. 3 Në këmbë dhe secili në vendin e vet, e lexonin Librin e Ligjit të Zotit, Hyjit të vet, gjatë një të katërtën e ditës, kurse gjatë të katërtës tjetër të ditës, i rrëfenin mëkatet e veta dhe e adhuronin Zotin, Hyjin e vet.

4 Atëherë Jesuai, Baniu, Kadmiheli, Sebania, Buniu, Baniu e Kananiu duke u ngritur në vendin e caktuar të levitëve, e thirrën me zë të lartë ndihmën e Zotit, Hyjit të vet, 5 kurse levitët Jesuai, Kadmiheli, Baniu, Hasabneja, Serebia, Hodia, Sebania dhe Fetahia thanë:

“Ngrituni, bekojeni Zotin Hyjin tuaj,

prej amshimit e në jetë të jetës!

Qoftë bekuar Emri yt i lavdishëm,

i lartësuar mbi çdo bekim e lavdi!

6 Ti, ti je Një i vetëm, o Zot!

Ti e krijove qiellin dhe qiellin e qiejve

dhe mbarë ushtrinë e tyre!

E krijove tokën dhe gjithçka është në të,

detet e gjithçka është në to.

Këtyre të gjithave ti u dhe jetë,

edhe ushtritë qiellore ty të adhurojnë!

7 Ti, o Zot Hyj, e zgjodhe Abramin,

ti e nxore nga Uri i Kaldenjve

dhe ia dhe emrin Abraham!

8 Besnike para teje ti zemrën ia gjete

dhe me të besëlidhje lidhe

se do t’ua jepje pasardhësve të tij

tokën e Kananeut, të Heteut e të Amorreut,

të Ferezeut, të Jebuseut e të Gergezeut:

dhe fjalën e mbajte,

sepse je i drejtë!

9 Ti e pe mjerimin e etërve tanë në Egjipt

dhe e dëgjove britmën e tyre pranë Detit të Kuq!

10 Bëre shenja e mrekulli kundër faraonit,

kundër mbarë shërbëtorëve të tij e popullit të atij vendi;

sepse pe me ç’krenari u sollën kundër tyre!

Fitove emër të mirë që edhe sot përmendet!

11 Para tyre detin dysh e ndave:

përmes detit terikut kaluan!

Kurse armiqtë e tyre në fund i plandose

porsi gurin në ujërat e rrëmbyeshme!

12 Me shtyllë reje gjatë ditës u prije,

ndërsa natën me shtyllën e zjarrit

u bëje dritë kah ata udhëtonin!

13 Ti vetë zbrite në malin Sinai

e prej qiellit me ta fole:

urdhra të drejta ti u dhe,

Ligj të sigurt,

porosi dhe urdhra të shquar.

14 Ua shpalle të shtunën tënde të shenjtë,

porositë, urdhrat dhe Ligjin ua dhe

me anë të shërbëtorit tënd Moisiut.

15 Në zinë e tyre bukë nga qielli u dhe,

të shuajnë etjen ujë nga shkëmbi u nxore.

u urdhërove ta pronësojnë tokën

që me be ti ua premtove.

16 Por të parët tanë krenarisht vepruan,

ngurrën zverkun, Ligjin nuk ta mbajtën.

17 Të dëgjojnë s’deshën,

i harruan të mirat që u bëre,

ngurrën zverkun, u kërceu në kokë

prapë në skllavëri të kthehen në Egjipt.

Por ti je Hyj zemërdhimbshëm,

shpirtbujar, plot me butësi,

zemërgjerë e plot mëshirë

prandaj dorë prej tyre s’hoqe.

18 Madje viçin kur metali e derdhën

dhe i thanë: “Ja, Hyji yt,

që të nxori prej Egjiptit!”

dhe blasfemi bënë shumë e të mëdha,

19 e ti përsëri me mëshirë të madhe,

s’i braktise në shkretëtirë:

shtylla e resë s’u zhduk prej tyre

t’u printe ditën kah të udhëtonin,

po as natën shtylla e zjarrit

dritë t’u bënte duke ecur.

20 Të mirin Shpirt që vjen prej teje

ua dhurove që t’i mësojë,

manën tënde s’ua mohove,

u dhe ujë etjen ta shuanin.

21 Dyzet vjet në shkretirë i ushqeve

dhe asgjë nuk u mungoi:

s’u shqyen petkash, këmbësh s’u enjtën!

22 U dorëzove mbretëri e popuj

dhe me short ti ua ndave;

pronë e bënë tokën Sehon

edhe të mbretit Hesebon,

dhe të Ogut, mbretit të Basanit.

23 Fëmijët ua shtove si yjet e qiellit.

Ti i shpure në atë vend

që ua premtove etërve të tyre

se do të hyjnë për ta pronësuar.

24 Erdhën djemtë dhe e pronësuan tokën,

ua nënshtrove kananenjtë, banorët e vendit,

në dorë të tyre i lëshove

mbretër e popuj paganë,

të bëjnë me ta sipas dëshirës.

25 Pushtuan qyteza e tokë prodhuese,

pronësuan shtëpi me të gjitha të mirat,

pusa të çelur, vreshta, ullishta,

pemë frutore të panumërta.

Hëngrën, u nginë dhe u trashën

dhe u kënaqën në mirësinë tënde të madhe.

26 Por s’të dëgjuan, kundër t’u çuan,

Ligjin tënd pas shpinës e hodhën;

i vrisnin profetët e tu

që i mësonin të ktheheshin kah ti:

kështu ata bënë blasfemi të mëdha.

27 Këndej ti i lëshove në duar të armiqve

që i poshtëruan e i shtypën.

Por kur ranë ngushtë, klithën drejt teje,

ti prej qiellit i dëgjove.

Me mirësinë tënde të pakufi

u dërgove shpëtimtarë,

t’i shpëtojnë prej dorës së armikut.

28 Të rënë në qetësi, prapë ia fillonin

të bënin të keqen para teje.

Në duar të armiqve ti i lëshoje,

që i pushtonin e i mundonin.

Kah ti u kthenin e të lypnin ndihmë,

ti prej qiellit i dëgjoje:

shumë herë me mëshirë tënde i shpëtove!

29 I qortoje të kthehen në Ligjin tënd:

por krenarë s’ t’i dëgjuan urdhërimet,

dhe i prishën pikërisht ata urdhra

të cilët njeriut jetën ia mbajnë.

Çuan grushtin kryengritës,

e ngurruan zverkun dhe s’dëgjuan!

30 I durove për shumë vjet,

i qortoje me Shpirtin tënd

nëpër gojë të profetëve të tu,

por ata s’deshën të të dëgjojnë!

Këndej i lëshove në duar të popujve paganë.

31 Me mëshirën tënde që s’ka kufi

nuk i shove as s’i braktise,

sepse je Hyj i mëshirshëm,

e butësi s’të ka kufi.

32 E tani, o Hyji ynë,

Zot i madh, i fortë e i tmerrshëm,

që e mban fjalën dhe ke mëshirë,

mos e bëj në asgjë tërë këtë mjerim

që na gjeti ne, mbretërit dhe prijësit tanë,

priftërinjtë e profetët tanë,

etërit tanë e mbarë popullin tënd

nga koha e mbretërve të Asirisë e deri më sot!

33 Ti je i drejtë në gjithçka që na ka ndodhur,

sepse veprove me drejtësi,

kurse ne bëmë padrejtësi.

34 Mbretërit tanë as prijësit tanë,

priftërinjtë tanë as etërit tanë,

s’e zbatuan Ligjin tënd,

kokë nuk çanë për urdhrat tu

për qortime që u bëre.

35 Megjithëse në mbretërinë e vet,

në të gjitha të mirat që u dhe,

në tokën e gjerë edhe pjellore

që ua kishe shtruar përpara,

ata ty aspak s’të shërbyen,

s’u shmangën veprave të këqija.

36 Ja, edhe ne sot skllevër jemi,

mu në atë tokë,

që ua dhe etërve tanë

t’i hanë frutat, t’i gëzojnë të mirat,

pikërisht në të ne jemi skllevër!

37 Çka qet toka e marrin mbretërit

që na i vure për fajin tonë:

bëjnë me ne e me gjënë tonë

çka atyre u këcen në kokë!

Vaj për ne në ç’mjerim kem’ rënë!”

Nehemia: 10. Zotimet me shkrim të bashkësisë

10

1 “Për shkak të të gjitha këtyre, ne po e lidhim besën dhe po e shënojmë më shkrim. E shënojnë prijësit tanë, levitët tanë dhe priftërinjtë tanë.”

2 Nënshkruesit qenë:

Qeveritari Nehemia, biri i Hakelajit, e Sedecia, 3 Saraja, Azaria, Jeremia, 4 Feshuri, Amaria, Melkia, 5 Hatusi, Sebenia, Meluhi, 6 Haremi, Merimuthi, Obdia, 7 Danieli, Gentoni, Baruku, 8 Mosolami, Abia, Miamini, 9 Maazia, Belgaji, Semeja. Këta ishin priftërinj.

10 Kurse levitë ishin:

Jozuehu, biri i Azanisë, Benuji nga bijtë e Henadadit, Kadmiheli 11 dhe vëllezërit e tyre Sebania, Hodia, Celita, Falaja, Hanani, 12 Mika, Rohobi, Hasebia, 13 Zakuri, Serebia, Sabania, 14 Hodia, Baniu e Baninuji.

15 Krerë të popullit:

Farosi, Fahatmoabi, Elami, Zetuji, Baniu, 16 Buniu, Azgadi, Bebaji, 17 Adonia, Beguaji, Adini, 18 Ateri, Hezecia, Auri, 19 Hodia, Hasumi, Besaji, 20 Harefi, Anatoti, Nebaji, 21 Megfia, Mosolami, Haziri, 22 Mesizabeli, Sadoku, Jeduaji, 23 Feltia, Hanani, Anaja, 24 Oseehi, Hanania, Hasubi, 25 Alohesi, Faleja, Sobeku, 26 Rehumi, Hasabai, Naasia, 27 Ekaja, Hanani, Anani, 28 Meluku, Harimi, Baanai.

29 ... po ashtu edhe të tjerët nga populli, priftërinj, levitë, derëtarë, këngëtarë, të dhuruar e të gjithë që u ndanë nga popujt e dheut për t’iu mbështetur Ligjit të Hyjit, gratë e tyre, bijtë e bijat e tyre, të gjithë që ia kanë arritur dritës së arsyes, 30 u bashkuan me vëllezërit e me bujarët e vet dhe u zotuan me përbetim se do të ecin në Ligjin e Hyjit, që e ka dhënë me anë të Moisiut shërbëtorit të Hyjit, se do t’i zbatojnë e do t’i mbajnë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit tonë, rregulloret dhe ligjet e tija.

31 Veçanërisht: nuk do t’ua japim më popujve të tjerë bijat tona, dhe bijat e tyre nuk do t’i marrim për bijtë tanë.

32 Në qoftë se popujt tjërë do të sjellin për të shitur drithëra ose ushqime tjera ditën e shtunë, ne nuk do t’ua blejmë as të shtunën e as në ditët tjera të shenjtëruara.

Çdo të shtatin vit do ta lëmë tokën të pushojë dhe do t’i falim borxhet.

33 Po ia vëmë vetes detyrë që çdo vit ta japim të tretën pjesë të siklit për shërbesën e Shtëpisë së Hyjit tonë: 34 për bukët e kushtimit, për flitë kushtimore të vazhdueshme, për flinë e shkrumbimit të përhershëm të të shtunave, të hënës së re, të kremteve dhe të ditëve të shenjtë‑ ruara, për flinë për mëkat, që të shpërblehen për Izraelin, si dhe për çdo shërbim që duhet të bëhet në Shtëpinë e Hyjit tonë.

35 Ne priftërinjtë, levitët e populli, qitëm short dhe e rregulluam çështjen e druve: duhet të sillen në Shtëpinë e Hyjit tonë nga çdo familje me rend, në kohë të caktuar, vit për vit, që të digjen mbi lterin e Zotit, Hyjit tonë, siç shkruan në Ligj. 36 Vendosëm se do t’i sjellim në Shtëpinë e Zotit frytet e para të tokës sonë dhe frutat e para të çdo peme vit për vit. 37 Po ashtu edhe fëmijët tanë të parëlindur dhe bagëtitë tona, siç shkruan në Ligj: të parëlindurit e bagëtive të mëdha e të bagëtive të imëta le t’u çohen në Shtëpinë e Hyjit tonë priftërinjve që shërbesojnë në Shtëpinë e Hyjit tonë. 38 Gjithashtu detyrohemi t’ua çojmë priftërinjve në qilarët e Shtëpisë së Hyjit frytet e para ushqimore dhe të njomjeve tona, frutat e çdo peme frutore, të të vjelave e të vajit, ndërsa të dhjetën e prodhimeve të tokës levitëve. Vetë levitët duhet ta mbledhin të dhjetën nga çdo vend që merret me bujqësi.

39 Por duhet të jetë një prift nga bijtë e Aronit me levitët kur mblidhen të dhjetat dhe levitët duhet ta japin të dhjetën e të dhjetave në Shtëpinë e Hyjit tonë në qilarët e thesarit. 40 Bijtë e Izraelit dhe levitët, e kanë për detyrë t’i çojnë në qilar frytet e para të grurit, të verës e të vajit. Aty gjenden orenditë e Shenjtërores, priftërinjtë në shërbesë, derëtarët dhe këngëtarët.

Më s’do ta lëmë pas dore Shtëpinë e Hyjit tonë.

Nehemia: 11. Popullzimi i Jerusalemit. Lista të ndryshme

11

1 Atëherë krerët e popullit e vendosën banimin e vet në Jerusalem, kurse pjesa tjetër e popullit qiti short, kështu që prej dhjetëve vetëm një të banonte në Jerusalem, qytetin e shenjtë, kurse nëntë të tjerët të banonin në qytete të tjera. 2 Populli i bekoi të gjithë ata që vullnetarisht shprehën dëshirën të banonin në Jerusalem.

3 Këta janë krerët e krahinës që u vendosën në Jerusalem dhe në qytetet e Judesë. Izraeli, priftërinjtë, levitët, të dhuruarit dhe bijtë e shërbetorëve të Salomonit, banuan secili në qytetin e vet, në pronën e vet.

Popullsia çifute në Jerusalem

4 Në Jerusalem banuan bijtë e Judës e të Beniaminit.

Nga bijtë e Judës:

Ataja, bir i Aziamit, birit të Zaharisë, birit të Amarit, birit të Safatisë, birit të Maleelit, nga bijtë e Faresit; 5 dhe Maasia biri i Baruk Kolhozë Hazi Adajë Jojarib Zaharisë së Silonit. 6 Të gjithë bijtë e Faresit, që u vendosën me banesë në Jerusalem, katërqind e gjashtëdhjetë e tetë burra të rritur.

7 Këta janë bijtë e Beniaminit:

Selumi, biri i Mosolam Joed Fadajë Kolajë Maasi Eteelit të Isaisë 8 dhe vëllezërit e tij, burra të rritur nëntëqind e njëzet e tetë.

9 Joeli, biri i Zekriut, ishte qeveritari i tyre, kurse Juda, biri i Senuasë, i dyti në krye të qytetit.

10 Prej priftërinjve:

Jedaja biri i Joarib 11 Serajë, Helci, Mosolam, Sadok, të Merajotit të Akitobit, kryesuesi i Shtëpisë së Hyjit 12 dhe vëllezërit e tij që ishin të ngarkuar me shërbesë në Tempull: tetëqind e njëzet e dy; edhe Adaja, biri i Jeroham Feleli, Amsi, Zakari, Feshurit të Melkisë 13 dhe vëllezërit e tij, zotë shtëpish: dyqind e dyzet e dy dhe Amasaji, biri i Azreel Ahazi Mosolomotit të Emerit 14 dhe vëllezërit e tij, shumë të aftë: njëqind e njëzet e tetë. Në krye të tyre ishte Zabdieli, burrë fisnik.

15 Prej levitëve:

Semeja, biri i Hasub Ezrikam Hasabisë së Buniut 16 dhe Sabataji e Jozabeli, nga prijësit e levitëve, ishin në krye të të gjitha punëve të jashtme të Shtëpisë së Hyjit. 17 Matania, biri i Mikës, biri i Zebedeut, biri i Asafit, mjeshtri i korit, e fillonte lutjen. Bekbecia, i dyti ndër vëllezer të vet, dhe Abdai, biri i Samuajit, biri i Galalit, biri i Iditunit. 18 Të gjithë levitët që banonin në qytetin e shenjtë: dyqind e tetëdhjetë e katër.

19 Derëtarët:

Akubi, Telmoni dhe vëllezërit e tyre që i ruanin dyert: njëqind e shtatëdhjetë e dy.

Vërejtje plotësuese

20 Izraelitët e tjerë, priftërinjtë dhe levitët banonin në të gjitha qytetet e Judës, secili në pronën e vet. 21 Të dhuruarit banonin në Ofel. Siha e Gasfa i kryesonin të dhuruarit.

22 Kryetari i levitëve në Jerusalem ishte Aciu, biri i Baniut, biri i Hasabisë, biri i Matanisë, biri i Mikës, nga bijtë e Asafit dhe ishin këngëtarë për shërbesën e Shtëpisë së Hyjit, 23 sepse ishte një rregullore e mbretit lidhur me ta dhe një rend i caktuar për këngëtarë në lidhje me shërbesën e tyre të përditshme.

24 Petahia, biri i Mesezebelit, nga bijtë e Zarës, birit të Judës, ishte i dërguari i mbretit për të gjitha punët e popullit.

Popullsia çifute në krahinë

25 Kurse në fshatrat dhe në arat e tyre:

Disa bij të Judës banonin në Kariatarbe dhe në pjesët përkatëse të tija, në Dibon, në Kabseel dhe në katundet e tija, 26 në Jesua, në Moladë, Betfalet, 27 në Hasersual, në Bersabee dhe në katundet e saja, 28 në Siceleg e në Mohonë dhe në katundet e saja, 29 në Remon, në Saraa, në Jerimuth, 30 në Zanoa, Odolam dhe në fshatrat e tyre, në Lakis dhe në arat e tija, në Azekë dhe në fshatrat e saja: banuan, nga Bersabeja deri në luginën Enom.

31 Bijtë e Beniaminit ngulën në Gabaa, në Makmas, në Haj, në Betel dhe në fshatrat e tij, 32 në Anatot, në Nob, Anani, 33 në Asor, Ramë, Getaim, 34 në Hadid, Seboim, në Nebalat Lot 35 e në Ono dhe në luginën e Mjeshtërve.

36 Levitët banonin një pjesë në Judë dhe një tjetër në Beniamin.

Nehemia: 12. Priftërinjtë dhe levitët e riatdhesuar nën Zorobabelin dhe Josuehun Jesuanë

12

1 Këta janë priftërinjtë dhe levitët që u kthyen me Zorobabelin, birin e Salatielit, e me Jesuanë:

Saraja, Jeremia, Esdra, 2 Amaria, Meluku, Hatusi, 3 Sebenia, Rehumi, Merimuthi, 4 Adoja, Gentoni, Abia, 5 Miamini, Madiai, Belga, 6 Semeja, Jojaribi, Jedaja, 7 Selumi, Amoku, Helcia, Jedaja. Këta ishin krerët e priftërinjve e të vëllezërve të tyre në kohën e Jesuasë.

8 Levitët: Jezuai, Binuji, Kadmiheli, Serebia, Juda, Matania ‑ ky bashkë me vëllezërit e tij i drejtonte këngët e lavdisë dhe të falënderimit, 9 kurse Bekbecia e Haniu me vëllezërit e tyre ndërroheshin me ta në shërbesë.

Pema e breznive të kryepriftërinjve

10 Jesuait i lindi Joakimi, Joakimit i lindi Eliasibi, Eliasibit i lindi Jojada, 11 Jojadës i lindi Jonatani, Jonatanit i lindi Jeduai.

Priftërinjtë e levitët në kohën e kryepriftit Joakim

12 Në kohën e Joakimit kryetarët e familjeve të priftërinjve ishin këta: të familjes së Serajës, Maraja; të Jeremisë Hanania, 13 të Esdrës Mosolami, të Amarisë Johanani, 14 të Milikos Jonatani, të Sebenisë Jozefi, 15 të Haranit Edna, të Majarotit Helciu, 16 të Adajës Zakaria, të Gentonit Mosolami, 17 të Abisë Zekriu, të Miamin Moadisë Feltiu, 18 të Belgës Samuai, të Semajës Jonatani, 19 të Jojaribit Matanaji, të Jodajës Aciu, 20 të Selajit Celaji, të Amokut Heberi, 21 të Helcisë Hasebia, të Jedajës Natanaeli.

22 Në kohën e Eliasibit, të Jojadës, të Johananit e të Jeduasë, qenë numëruar krerët e familjeve të levitëve dhe priftërinjtë deri në kohën e mbretërimit të Dariut të Persisë.

23 Bijtë e Levit, të zotët e shtëpive, qenë regjistruar në Librin e Kronikave deri në kohën e Jonatanit, të birit të Eliasibit.

24 Krerët e levitëve ishin: Hasebia, Serebia, Jesuai, Binuji e Kadmiheli dhe përbri vëllezërit e tyre që e kishin për detyrë të lavdëronin e të këndonin sipas ndërresave të veta të caktuara nga Davidi, njeriu i Hyjit, 25 ishin: Matania, Bekbecia e Obedia. Ndërsa Mosolami, Telmoni e Akubi ishin derëtarë dhe i ruanin dyert e drithnikëve.

26 Këta jetonin në kohën e Joakimit, të birit të Josua Jozedekut, në kohën e qeveritarit Nehemi e të priftit skrib Esdër.

Shugurimi i mureve të Jerusalemit

27 Për shugurimin e mureve të Jerusalemit u kërkuan levitët nga të gjitha vendbanimet e tyre që të vinin në Jerusalem për ta kremtuar shugurimin me gëzim, me falënderim, me këngë dhe muzikë: me cimbale, me lira e me cetra. 28 Kështu u mbledhën këngëtarët nga rrethinat e Jerusalemit, nga fshatrat e Netufatit, 29 të Betgalgalës e të krahinave të Gabasë e të Azmavetit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar për vete vendbanime në rrethet e Jerusalemit.

30 Priftërinjtë dhe levitët u pastruan vetë e pastaj e pastruan popullin, dyert dhe muret.

31 Atëherë dhashë urdhër të ngjiten në mur prijësit e Judës dhe i organizova dy kore të mëdha këngëtarësh. Njëri shkoi në anën e djathtë të murit në drejtim të derës së Mbeturinave. 32 Pas tyre shkoi Osaja dhe gjysma e prijësve të Judës: 33 Azaria, Esdra, Mosolami, 34 Juda, Beniamini, Semeja e Jeremia. 35 Nga priftërinjtë, me bori Zakaria, biri i Jonatanit, biri i Semejës, biri i Matanisë, biri i Mikajës, biri i Zakurit, biri i Asafit; 36 si edhe vëllezërit e tij: Semeja, Azareeli, Malalaji, Galalaji, Maaji, Natanaeli, Juda e Hananiu me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Hyjit. Në krye të tyre ecte skribi Esdër. 37 Te dera e Burimit hipën drejt para tyre, afër shkallëve të Qytetit të Davidit, përpjetës murit dhe përpjetës së Pallatit të Davidit, deri te dera e Ujërave, në lindje.

38 Kurse kori i dytë, ata që e bënin falënderimin, ecte në anën e kundërt dhe unë ecja pas tij e me mua gjysma e krerëve të popullit nëpër mur e nëpër pirgun e Furrave deri te Muri i Gjerë, 39 mbi Derën e Efraimit, përmbi Derën e Vjetër, mbi derën e Peshqve, pirgun Hananeel, pirgun Meah deri te dera e deleve. U ndalëm te dera e Rojës.

40 Pastaj dy koret i zunë vendet e veta në Shtëpinë e Hyjit. Me mua ishte gjysma e bujarëve, 41 dhe priftërinjtë me bori: Eliakimi, Maasia, Miamini, Mikeja, Elioenaji, Zakaria e Hanania, 42 Maasia, Semeja, Eleazari, Aciu, Johanani, Melkia, Elami e Ezeri. Këngëtarët këndonin nën drejtimin e Jezraisë.

43 Atë ditë u kushtuan fli të mëdha dhe u bë gëzim i madh. U gëzuan pa masë edhe gratë e fëmijët e tyre dhe jehona e haresë së Jerusalemit u dëgjua larg.

Një epokë ideale

44 Në atë kohë u caktuan njerëzit për t’i mbikëqyrur dhomat e ruajtjes së kushteve, të fryteve të para, të të dhjetave dhe për t’i mbledhur nga arat përreth qyteteve pjesët që Ligji ua cakton priftërinjve dhe levitëve. Vërtet Juda iu gëzua priftërinjve dhe levitëve që ishin në shërbim 45 dhe shërbesonin në shërbesë të Hyjit të vet dhe në shërbesë të pastrimit ‑ së bashku me këngëtarë e me derëtarë sipas rregulloreve të Davidit e te Salomonit, të birit të tij. 46 E njëmend moti që prejkohës së Davidit e të Asafit, ishin krerët e këngëtarëve dhe kishte këngë lavdie dhe falënderimi për nder të Hyjit. 47 Prandaj edhe mbarë Izraeli në kohën e Zorobabelit e të Nehemisë i jepte çdo ditë pjesët e caktuara për këngëtarë dhe derëtarë. Izraeli ua jepte levitëve pjesët e kushtuara dhe levitët ua jepnin priftërinjve pjesët që u takonin.

Nehemia: 13. Misioni i dytë i Nehemisë

13

1Aso kohe Libri i Moisiut u lexua para popullit dhe në të u gjet e shkruar se amonët dhe moabët askurrë s’do të hyjnë në bashkësinë e Hyjit, 2 sepse nuk u kishin dalë para bijve të Izraelit me bukë e me ujë dhe se e kishin marrë me vete Balaamin për t’i mallkuar izraelitët, por Hyji ynë e shndërroi mallkimin e tyre në bekim. 3 Kur e dëgjuan Ligjin, u përjashtuan nga Izraeli të gjithë të huajt.

Misioni i dytë i Nehemisë

4 Para kësaj, prifti Eliasib, që ishte mbikëqyerës i dhomave të Shtëpisë së Hyjit tonë dhe ishte i afërt me Tobinë, 5 ia kishte liruar këtij një dhomë të madhe, ku përpara ruheshin dhuratat, kemi, enët, të dhjetat e drithërave, të verës, të vajit, pjesët e levitëve, të këngëtarëve dhe pjesët që mblidheshin për priftërinjtë.

6 Aso kohe unë nuk isha në Jerusalem, sepse në vitin e tridhjetedytë të Artakserksit, mbretit të Babilonit, isha kthyer te mbreti; por pas pak kohe ia dola të nxjerr leje prej mbretit që të mund 7 të kthehesha në Jerusalem. E mora vesh të keqen që Eliasibi e kishte bërë për t’i bërë mirë Tobisë: i kishte lëshuar një dhomë në tremet e Shtëpisë së Hyjit. 8 U hidhërova aq shumë sa, i flaka jashtë orenditë e Tobisë nga thesari, 9 dhashë urdhër t’i pastrojnë dhomat dhe i ktheva në të enët e Shtëpisë së Hyjit, kushtet dhe kemin.

10 Mora gjithashtu vesh se levitëve nuk u ishin dhënë pjesët e tyre dhe se të gjithë levitët e këngëtarët që shërbenin, kishin ikur në arat e veta. 11 Atëherë i qortova bujarët dhe thashë: “Pse nuk jeni kujdesur për Shtëpinë e Hyjit?” Pastaj i bashkova levitët dhe këngëtarët dhe i vendosa në vendet e tyre. 12 Atëherë mbare Juda i solli të dhjetat e drithit, të verës dhe të vajit në depotë. 13 Për mbikëqyrjen e depove e caktova priftin Selemi, skribin Sadok dhe levitin Fadajë, e përveç tyre edhe Hananin, birin e Zakurit, dhe birin e Matatisë, sepse mbaheshin për njerëz besnikë. Këta e kishin për detyrë t’ua ndanin vëllezërve pjesët që u takonin.

14 Të bie ndër mend për mua, Hyji im, për këtë: mos i zhduk veprat e mia të mira që i bëra për Shtëpinë e Hyjit tim dhe për shërbesat në të!

15 Ato ditë pashë në Judë njerëz që shkelnin me këmbë në shtrydhësin e ullijve ditën e shtunë; të tjerët mbartnin dujë gruri, ngarkonin në gomarë verë, rrush, fiq e barrë të tjera, në mënyrë që t’i sillnin ditën e shtunë në Jerusalem. I qortova njerëzit që pikërisht atë ditë shitnin gjëra ushqimore. 16 Po ashtu edhe tirasit që jetonin në Jerusalem sillnin aty peshk dhe gjithfarë mallrash për t’ua shitur të shtunën çifutëve në Jerusalem. 17 I qortova rëndë bujarët e Judës dhe u thashë: “Ç’është kjo punë e keqe që po e bëni e po e prishni të shtunën? 18 A nuk kanë bërë kështu etërit tanë për çka dhe Hyji ynë na i solli të gjitha këto të zeza mbi ne e mbi këtë qytet? Ju po e rritni hidhërimin kundër Izraelit duke mos e shenjtëruar të shtunën!”

19 Dhe urdhërova gjithashtu që që në vigjilie të shtunës, kur bie terri në dyert e Jerusalemit, të mbyllen dhe të ndryhen e të mos hapen deri sa të kalonte e shtuna. Vura disa nga djelmoshat e mi në dyer që të mos futet kurrfarë barre ditën e shtunë. 20 Kështu tregtarët dhe shitësit e mallrave të ndryshëm kaluan natën një herë a dy jashtë Jerusalemit. 21 Por u kam bërtitur dhe ua kam tërhequr vërejtjen: “Pse e kaloni natën përbri mureve? Nëse do ta përsëritni këtë gjë, do të vë dorë mbi ju.” Prej asaj dite nuk erdhën më të shtunën. 22 U urdhërova levitëve të pastrohen e të vijnë e t’i ruajnë dyert që të shenjtërohet dita e shtunë.

Edhe për këtë le të bie ndër mend për mua, Hyji im, dhe ki mëshirë për mua sipas mëshirës sate të madhe!

23 Ato ditë pashë edhe se disa judenj ishin martuar me bija azotësh, amonësh e moabësh. 24 Gjysma e fëmijëve të tyre fliste azotisht, ose me gjuhën e këtij ose atij populli e nuk dinin të flisnin çifutërisht. 25 I qortova ashpër, i nëma, disa edhe i rraha, flokët ua shkula dhe i përbetova me Hyjin të mos i japin bijat e veta për bijtë e tyre dhe të mos marrin për djemtë e vet e për vete bijat e tyre. U thashë: 26 “Vallë a nuk mëkatoi kësisoji edhe Salomoni, mbreti i Izraelit? S’kishte mbret tjetër aso kohe që mund të krahasohej me të! Ishte i dashur prej Hyjit të vet, prandaj Hyji e vuri mbret mbi mbarë Izraelin; por edhe këtë gratë e huaja e çuan në mëkat! 27 A thua se për t’ua mbajtur krahun juve do të bëhemi pjesëtarë në këtë të keqe kaq të madhe e do të jemi të pabesë ndaj Hyjit tonë me marrjen e grave të huaja?”

28 Njëri nga bijtë e Jojadës, të kryepriftit Eliasib, ishte dhëndër i Sanabalat Horonitit. Atë e dëbova prej meje.

29 Hyji im, mos i qit në harresë këta njerëz, që e përdhosin priftërinë dhe besëlidhjen priftërore e levitike!

30 Kështu i pastrova nga çdo element i huaj, përsëri i rivendosa shërbesat e priftërinjve dhe të levitëve, secilin në shërbimin e vet. 31 E rregullova edhe sjelljen e druve në ditët e caktuara dhe sjelljen e fryteve të para.

Kujtohu për mua, dhe për të mirën time, Hyji im!