2 i Kronikave: 1. Salomoni e merr dhuratën e dijes

1

1 Salomoni, biri i Davidit, ishte përforcuar në mbretërinë e tij. Zoti, Hyji i tij, ishte me të dhe e ngriti në kulm madhërinë e tij.

2 Atëherë Salomoni i urdhëroi mbarë Izraelit: mijëtarëve, urdhërqindësve, gjyqtarëve, prijësve të mbarë Izraelit, krerëve të familjeve 3 dhe mbarë bashkësinë shkoi në kodrinën e Gabaonit, ku ishte Tenda e Takimit të Hyjit, që e kishte punuar Moisiu, shërbëtori i Hyjit, në shkretëtirë. 4 Davidi e kishte sjellë Arkën e Hyjit prej Kariatiarimit në vendin që e kishte pasë bërë gati për të dhe ku ia kishte ngrehur Tendën: d. t. th. në Jerusalem. 5 Lteri i bronztë, që e kishte punuar Beseleeli, biri i Urisë së Hurit, ishte atje para Banesës së Zotit e Salomoni dhe mbarë bashkësia shkuan atje. 6 Shkoi pra, Salomoni te lteri i bronztë pranë Tendës së Takimit të Zotit dhe aty i kushtoi një mijë fli.

7 Po këtë natë Hyji iu dëftua Salomonit. I tha: “Lyp çka dëshiron të të jap”. 8 Salomoni iu përgjigj Hyjit: “Ti e përkrahe shumë tim atë Davidin, kurse mua më bëre mbret në vend të tij. 9 Tani, pra, o Zot, Hyj, plotësoje zotimin tënd që ia dhe atit tim Davidit, pasi më bëre mbret mbi popullin tënd të shumtë që është i panumërt porsi pluhuri i tokës, 10 më jep dije e kuptim që ta udhëheq popullin tënd. E njëmend, kush mundet ta sundojë denjësisht një popull kaq të madh siç është yti”?

11 Atëherë Hyji i tha Salomonit: “Pasi i pëlqeu zemrës sate kjo gjë e nuk kërkove pasuri, mirëqenie e lavdi, as vdekjen e atyre që të urrenin, madje as jetë të gjatë, por kërkove urtësi e dije që të mund t’i prish popullit tim, mbi të cilin të bëra mbret, 12 të janë dhënë dija e kuptimi! Por unë do të të jap edhe mirëqenie e lavdi, kështu që askush ndër mbretër, as para teje as pas teje, të mos jetë i ngjashëm me ty”!

13 U largua, pra, Salomoni nga prania e Tendës së Takimit prej kodrinës së Gabaonit në Jerusalem dhe mbretëroi mbi Izraelin. 14 Bashkoi karroca lufte dhe kalorës. Pati një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës të shpërndarë nëpër qytete dhe pranë vetes në Jerusalem. 15 Salomoni ia doli të sillte në Jerusalem argjend e ar si gurë, e lëndë cedri porsi dru mani që rritet në Sefelë me shumicë të madhe. 16 Kuajt ia sillnin prej Egjiptit dhe prej Koes. Tregtarët e mbretit i blenin në Koa. 17 Ata e sollën në vend një karrocë lufte dhe e shitën për gjashtëqind sikla të argjendtë si dhe një kalë për njëqind e pesëdhjetë. Kështu bëhej edhe për të gjithë mbretërit e tjerë të hetitëve e të Sirisë të cilët importonin përmes tyre.

Përgatitjet e fundit. Hirami i Tirit

18 Salomoni vendosi ta ndërtojë një Shtëpi në nder të Emrit të Zotit dhe një pallat për vete.

2 i Kronikave: 2. Punimet

2

1 I caktoi shtatëdhjetë mijë vetë bartës krahu dhe tetëdhjetë mijë gdhendës guri në mal dhe tri mijë e gjashtëqind kryepunëtorë.

2 Atëherë i çoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit: “Siç ke vepruar me babain tim Davidin dhe i ke dërguar lëndë cedri që ta ndërtonte pallatin për të banuar ai në të, 3 po ashtu vepro edhe për mua që t’ia ndërtoj një Shtëpi Emrit të Zotit, Hyjit tim, e ta shuguroj për të djegur para tij erëra të këndëshme tymuese, për të kushtuar vazhdimisht bukë dhe fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, të shtunave, hënëve të reja dhe në të gjitha të kremtet e Zotit, Hyjit tonë, për amshim që i janë urdhëruar Izraelit. 4 Shtëpia, të cilën dëshiroj ta ndërtoj, është e madhe, sepse i madh është Zoti ynë përmbi të gjithë zotat. 5 E kush do të kishte mundësi t’i ndërtojë Atij një Shtëpi të denjë? Në qoftë se qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund ta zënë Atë, po kush jam unë që të mund t’ia ndërtoj Shtëpinë? Por vetëm kaq sa të digjet kemi në praninë e tij. 6 Tani, ma dërgo një njeri të ditur që di të punojë me ar, me argjend, me bronz, me hekur, me purpur të kuq e ngjyrë vjollcë e që të jetë i ushtruar në mjeshtrinë e skalitjes; ai do të punojë me këta artizanët që i kam në Jude e në Jerusalem, të cilët i përgatiti im atë Davidi. 7 Ti më dërgo edhe lëndë cedri, bredhi e pishe prej Libanit. Unë e di se shërbëtorët e tu dinë ta presin drurin e Libanit, madje edhe shërbëtorët e mi do të jenë me shërbëtorët e tu 8 që të më përgatiten lëndë të shumta, sepse Shtëpia që dëshiroj ta ndërtoj duhet të jetë e vetme dhe e madhërishme. 9 Druprerësve, shërbëtorëve të tu, do t’u jap si ushqim njëzet mijë kora grurë po edhe aq kora elb, njëzet mijë batë verë si dhe njëzet mijë batë vaj”.

10 E Hirami, mbreti i Tirit, iu përgjigj me anë të një letre që ia dërgoi Salomonit: “Pasi Zoti e deshi popullin e vet, bëri që ti të mbretërosh mbi të”. 11 Dhe shtoi: “Bekuar qoftë Zoti, Hyji i Izraelit, i cili bëri qiellin e tokën, që ia dha Davidit mbret një djalë të dijshëm, të mençur, të arsyeshëm e të urtë që të ndërtojë Shtëpi në nder të Zotit dhe pallat për vete. 12 Tani po ta dërgoj një njeri të urtë, të dijshëm si ai, Hiramin, mjeshtrin tim, 13 djalin e njërës prej bijave të Danit, babai i të cilit qe tiras. Ky di të punojë në arë e në argjend, në bronz e në hekur, në gur e në dru, në purpur, në pëlhurë ngjyrë vjollcë e në pëlhurë të kuqe. Di të gdhendë çdo gdhendje; ia pret mendja hollë e, çka i sheh syri, ia bën dora. Do të punojë me mjeshtrit e tu dhe me mjeshtrit e zotërisë tim, Davidit, babait tënd. 14 Ti imzot, veç dërgoje grurin, elbin, vajin, verën që i ke premtuar për shërbëtorët e tu. 15 Ne do t’i presim drurët nga Libani aq sa të të nevojiten dhe do t’i përcjellim me trapa nëpër det në Jope e ty të mbetet vetëm t’i shpiesh në Jerusalem”.

Punimet

16 Atëherë Salomoni i regjistroi të gjithë burrat ardhacakë që ishin në tokën e Izraelit, pas numërimit që e bëri babai i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind. 17 Prej tyre i caktoi shtatëdhjetë mijë bartës dhe tetëdhjetë mijë gurnxjerrës në gurore, kurse për kryepunëtorë të tyre i caktoi tri mijë e gjashtëqind vetë.

2 i Kronikave: 3. Salomoni e filloi ndërtimin e Shtëpisë së Zotit

3

1 Atëherë Salomoni e filloi ndërtimin e Shtëpisë së Zotit në Jerusalem në malin Mori, që kishte qenë caktuar prej Davidit, babait të tij, por në atë vend që Davidi e kishte bërë gati, në lëmën e Ornan Jebuseut. 2 Ndërtimin e filloi në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të vet.

3 Dhe ja, masat që i caktoi Salomoni për ndërtimin e Shtëpisë së Hyjit: gjatësia gjashtëdhjetë kute, me kute të moçëm, kurse gjerësia njëzet kute. 4 Tremja, në ballë, ishte e gjatë sipas gjerësisë së Shtëpisë: njëzet kute. I lartë ishte njëqind e njëzet kute. Përbrenda e praroi me ar të kulluar. 5 Sallën e madhe e mbuloi me dërrasë bredhi dhe e veshi me pllaka ari të kulluar gjithkund. Në to gdhendi palma dhe i gërshetoi njëra me tjetrën me vargje. 6 Po ashtu truallin e Tempullit e shtroi me mermer shumë të çmueshëm dhe tejet të bukur.

7 Me arin që ishte prej Parvaimit e veshi sallën: d. t. th. muret, tratë, praqet dhe dyert. Në mure gdhendi kerubinë.

8 E punoi edhe sallën e Shenjtërores së shenjtëroreve: gjatësia sipas gjerësisë së Shtëpisë, njëzet kute dhe gjerësia po ashtu njëzet kute. E veshi me pllaka ari të kulluar: shpenzoi afër gjashtëqind talenta. 9 Për gozhda përdori pesëdhjetë sikla ari. Po ashtu edhe dhomat e sipërme i veshi me ar.

10 Në sallën e Shenjtërores së shenjtëroreve i punoi dy kerubinë: vepër skulptori, dhe i veshi me ar. 11 Krahët e kerubinëve ishin të gjatë njëzet kute, kështu që njëri krah ishte i gjatë pesë kute dhe e prekte murin e sallës, kurse tjetri po ashtu pesë kute që e prekte krahun e tjetrit kerubin. 12 Po ashtu edhe krahu i kerubinit tjetër ishte pesë kute dhe mbërrinte ta prekë murin e sallës, kurse krahu tjetër po ashtu pesë kute prekte krahun e kerubinit tjetër. 13 Kështu, krahët e të dy kerubinëve, ishin të shtrirë dhe kishin njëzet kute gjatësi.

14 E punoi edhe velin prej pëlhure vjollcë, të purpurt, pëlhure të kuqe e prej bezeje dhe qendisi në të kerubinë.

15 Në hyrje të Shtëpisë punoi edhe dy shtylla, që ishin tridhjetë e dy kute të larta, kurse krerat e tyre ishin pesë kutesh. 16 Gërshetoi keza dhe i vendosi në majë të shtyllave; punoi gjithashtu edhe njëqind shega që i vuri ndërmjet gërshetave. 17 Shtyllat i vendosi në ballë të Tempullit, njërën në të djathtën e tjetrën në të majtën. Atë që ishte në të djathtë e quajti Jakin, kurse atë në të majtë Booz.

2 i Kronikave: 4. Tempullit në Shenjtëroren e shenjtëroreve

4

1 E punoi edhe lterin e bronztë të gjatë njëzet kute, të gjerë njëzet kute e të lartë dhjetë kute.

2 E punoi edhe Detin në metal të derdhur, prej buze e në buzë dhjetë kute, të rrumbullakët rreth e rreth. Ishte i lartë pesë kute dhe duhej një pe tridhjetë kutesh për ta pushtuar përreth. 3 Nën të ishin gjithreth e rreth përfytyrime demash, dhjetë për çdo kut, të renditur në dy rreshta, të derdhur në një derdhje me Detin. 4 Deti shtrihej mbi dymbëdhjetë dema. Prej tyre tre shikonin kah veriu, tre të tjerët në perëndim, tre të tjerë në jug, kurse tre të tjerët në drejtim të lindjes. Deti qëndronte mbi ta. Vithet e qeve ishin përbrenda, nën Detin. 5 Trashësia e tij ishte një pëllëmbë, buza e tij, si buza e gotës, e zambakut të çelur. Zinte tri mijë batë.

6 Punoi gjithashtu edhe dhjetë legena dhe i vendosi pesë në të djathtë e pesë në të majtë, që të lanin gjithçka që do të kushtohej për fli shkrumbimi. Në Det laheshin priftërinjtë.

7 Punoi edhe qirimbartës të artë, sipas gjedhes që ishte urdhëruar të bëheshin dhe i vendosi në Tempull pesë në të djathtë e pesë në të majtë. 8 Po ashtu edhe dhjetë tryeza dhe i vendosi në Tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë. Punoi gjithashtu edhe njëqind kupa të arta.

9 Punoi edhe tremen e priftërinjve, tremen e madhe dhe dyert në treme, të cilat i veshi me bronz. 10 Detin e vendosi në krahun e djathtë, në juglindje.

11 Hirami punoi kusi, lugica e kupa dhe e kreu mbarë punën e ngarkuar prej mbretit Salomon për Shtëpinë e Hyjit: 12 d. t. th. dy shtyllat, dy mëkrenëzat dhe kapitelet në majë të shtyllave, dy gërshetat që mbulonin mëkrenëzat e shtyllave; 13 katërqind shega për të dy gërshetat; dy rendesh ishin të vendosura shegat dhe lidheshin me çdo gërshet për t’i mbrojtur mëkrenëzat e kapitelëve të shtyllave. 14 Punoi edhe dhjetë baza e legena, të cilët i vuri mbi baza; 15 një Det dhe nën Det dymbëdhjetë dema; 16 enë për hi, lopata e pirunj: të gjitha enët për Shtëpinë e Zotit ia punoi mbretit Salomon, mjeshtri i Salomonit, Hirami prej bronzit të pastër. 17 Mbreti caktoi të shkrihen në krahinën e Jordanit, në tokë argjile, ndërmjet Sukotit e Saredatës. 18 Salomoni punoi një shumë të madhe enësh të panumërta aq sa nuk dihej pesha e bronzit.

19 Salomoni i punoi të gjitha orenditë e caktuara për Shtëpinë e Hyjit: lterin e bronztë, tryezat dhe mbi to i vuri bukët e kushtimit. 20 Punoi gjithashtu edhe shandanat dhe dritëzat e tyre që të bëjnë dritë pranë Dabirit, sipas kërkesës së ritit, prej arit të kulluar. 21 Punoi gjithashtu edhe boçat dhe dritëzat e gërshërët e arta: të gjitha u punuan me ar të kulluar. 22 Gjithashtu edhe thikëzat, kupat e stërpikjes, kupëzat dhe kemoret prej arit të kulluar. Edhe dyert e brendshme të Tempullit në Shenjtëroren e shenjtëroreve, si dhe dyert e jashtme të Tempullit, u punuan prej ari.

2 i Kronikave: 5. Bartja e Arkës

5

1 Kështu u kryen punimet që Salomoni i bëri për Shtëpinë e Zotit. Salomoni i futi në thesarin e Shtëpisë së Hyjit gjithçka kishte kushtuar i ati i tij Davidi: argjend, ar dhe të gjitha enët.

Bartja e Arkës

2 Pastaj Salomoni e bashkoi në Jerusalem të gjithë parinë e Izraelit, mbarë prijësit e fiseve dhe krerët e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta kaluar Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej Qytetit të Davidit, d. t. th. prej Sionit. 3 Të gjithë burrat e Izraelit u mblodhën te mbreti ditën e festës të muajit të shtatë. 4 Kur u bashkuan të gjithë krerët e Izraelit, levitët e bartën Arkën 5 dhe e sollën atë dhe Tendën e Takimit me të gjitha pjesët përkatëse të Tendës. Të gjitha enët e Shenjtërores që ishin në Tendë i mbartën priftërinjtë levitë. 6 Kurse mbreti Salomon dhe mbarë bashkësia e Izraelit: të gjithë ata që ishin bashkuar tek ai para Arkës, flijonin dele e lopë të panumërta: kaq i madh ishte numri i flive.

7 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj, në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtërve nën krahët e kerubinëve. 8 Kerubinët i kishin krahët e shtrirë përmbi vendin, në të cilin ishte vendosur Arka dhe e mbulonin përsipër Arkën dhe shtatkat e saja. 9 Majët e shtatkave, me të cilat bartej Arka, ngaqë ishin pak më të gjata, shiheshin brenda në Dabir, por ai që ishte përjashta, nuk mund t’i shihte. Kështu, pra, Arka qëndron aty deri në ditën e sotme. 10 Brenda në Arkë nuk mbahej asgjë tjetër përveç dy rrasave që i vendosi Moisiu në Horeb, kur Zoti bëri Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej Egjiptit.

Hyji e bën pronë të veten Tempullin

11 Tani, posa dolën priftërinjtë jashtë Shenjtërores ‑ sepse të gjithë priftërinjtë që u gjetën aty ishin shenjtëruar pa marrë parasysh rendin dhe ndërresën e shërbesave ‑ 12 ndërkaq edhe të gjithë levitët këngëtarë, të gjithë që ishin nën drejtimin e Asafit, të Emanit e të Iditunit, bijtë e vëllezërit e tyre, të veshur me pëlhurë liri, me cimbale, psalterë e me cetra, qëndronin në këmbë në krahun e lindjes së lterit e, së bashku me ta, edhe njëqind e njëzet priftërinjë që u binin borive ‑ 13 kështu, pra, ndërsa të gjithë së bashku e me bori e me zë e me cimbale e me vegla të ndryshme muzikore, duke u rënë e duke e lartësuar njëherësh zërin, ia filluan me një zë ta lavdërojnë Zotin e thanë: “Lëvdojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij”, Shtëpia e Hyjit u mbush me re, 14 dhe priftërinjtë për shkak të resë nuk mundën ta vijonin shërbesën: Lavdia e Zotit e mbushi Shtëpinë e Hyjit!

2 i Kronikave: 6. Fjalimi i Salomonit që ia mbajti popullit

6

1 Atëherë Salomoni tha:

“Zoti vendosi të banojë në renë e errët,

2 kurse unë të punova një Shtëpi të

shkëlqyeshme

që në të të banosh përgjithmonë”.

Fjalimi i Salomonit që ia mbajti popullit

3 Atëherë mbreti Salomon u soll dhe e bekoi mbarë bashkësinë e Izraelit ‑ mbarë bashkësia e vëmendshme qëndronte në këmbë. Ai tha:

4 “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e çoi në vend atë që me gojën e vet i tha Davidit, babait tim, kur i premtoi: 5 ‘Që atë ditë kur e nxora popullin tim prej Egjiptit, nuk zgjodha asnjë qytet prej të gjitha fiseve të Izraelit, që në të të punohet një shtëpi në nder të emrit tim dhe nuk zgjodha asnjë që të sundojë mbi popullin tim Izraelin, 6 por zgjodha Jerusalemin që Emri im të banojë në të dhe zgjodha Davidin që të jetë në krye të popullit tim Izraelit’.

7 E kur im atë Davidi vendosi ta ndërtojë një Shtëpi në nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit, 8 atëherë Zoti i tha: ‘Vetë dëshira jote të ndërtosh një Banesë në nder të emrit tim është një gjë e mirë që ke menduar ashtu, 9 por ti nuk do të ma ndërtosh Banesën, por në të vërtetë ndërtesën për të banuar Emri im do ta ndërtojë djali yt, ai që do të dalë prej ijës sate’.

10 Kështu, pra, Zoti e çoi në vend fjalën e vet që e kishte thënë: unë e trashëgova tim atë dhe hipa në fronin e Izraelit si ka thënë Zoti dhe unë e ndërtova Shtëpinë në nder të Emrit të Zotit, Hyjit të Izraelit. 11 Unë e vendosa në të edhe Arkën, në të cilën është Besëlidhja e Zotit që e lidhi me bijtë e Izraelit”.

Lutja e Salomonit

12 Atëherë qëndroi para lterit të Zotit, në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit dhe i shtriu duart e veta. 13 Salomoni, në të vërtetë, kishte punuar edhe një nënkëmbëz të bronztë dhe e kishte vënë në mes të tremes. Ishte e gjatë pesë kute, e gjerë pesë kute dhe e lartë tre kute. Qëndroi në këmbë mbi të. Atëherë u ul në gjunjë në të, në praninë e mbarë bashkësisë, i lartësoi duart drejt qiellit e 14 tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka një Zot tjetër të ngjashëm me ty as në qiell as në tokë! Ti e mban besnikërisht besëlidhjen dhe e ruan mëshirën ndaj shërbëtorëve të tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. 15 Ti ia plotësove shërbëtorit tënd Davidit, babait tim, të gjitha zotimet që ia ke pasë bërë: gjithçka i premtove me gojë e bëre realitet në ditën e sotme. 16 Tani, o Zot, Hyji i Izraelit, plotësoja shërbëtorit tënd Davidit, babait tim, zotimin që ia bëre kur i the: ‘Nuk do të të mungojë para meje trashëgimtari që të rrijë mbi fronin e Izraelit, në qoftë se vërtet bijtë e tu do t’i ruajnë udhët e mia e do të ecin në Ligjin tim, sikurse edhe ti ece në praninë time’. 17 Tani, o Zot, Hyji i Izraelit, le të vërtetohet premtimi yt që ia dhe shërbëtorit tënd Davidit.

18 Po a vërtet është e besueshme se Hyji banon me njerëz mbi tokë? Në qoftë se qielli i qiejt e qiejve nuk mund të të zënë, aq më pak kjo Shtëpi që e ndërtova! 19 Por priri sytë e tu mbi lutjen e përlutjen e shërbëtorit tënd, o Zot, Hyji im, e dëgjo klithmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton para teje: 20 mbaji çelur sytë e tu ditë e natë mbi këtë vend që je zotuar se do ta vendosësh Emrin tënd dhe se do ta dëgjosh lutjen që shërbëtori yt do ta thotë në të”.

Lutja për popull

21 “Dëgjoji lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit kurdoherë që të luten në këtë vend! Vështroje prej banesës sate, prej qiellit: dëgjoje dhe ji i mëshirshëm!

22 Nëse ndokush mëkaton kundër të afërmit të vet e nëse ky e kërkon prej tij përbetimin, i shtrënguar nga mallkimi, vjen para lterit në këtë Shtëpi, 23 dëgjoje nga qielli dhe gjykoji shërbëtorët e tu, kështu që e keqja të bjerë mbi kokë të keqbërësit, kurse të pafajshmin çliroje duke e shpërblyer sipas drejtësisë së tij.

24 Nëse populli yt Izraeli mundet nga armiqtë, sepse do të kenë mëkatuar kundër teje, porse, pasi të jenë kthyer e të kenë bërë pendesë, duke e lavdëruar Emrin tënd e pasi të jenë lutur e përlutur në këtë Shtëpi, 25 atëherë ti dëgjoji prej qiellit, fale mëkatin e popullit tënd Izraelit dhe ktheji ata në tokën që ua dhurove atyre e etërve të tyre!

26 Në qoftë se mbyllet qielli dhe nuk do të bjerë shi për shkak të mëkateve të popullit, e, nëse kanë për t’u lutur ty në këtë vend, pasi ta kenë lavdëruar Emrin tënd e të jenë kthyer prej mëkateve të tyre pasi t’i kesh ndëshkuar, 27 o Zot, dëgjoji prej qiellit dhe falua mëkatet shërbëtorëve të tu, popullit të Izraelit, mësojua udhën e drejtë nëpër të cilën duhet të ecin dhe dhuroja tokën që ia dhe popullit tënd për pronë.

28 E kur në këtë vend të paraqitet uria ose murtaja, kllogjëra ose myku, karkaleci ose vemja, pasi t’i kenë shkretuar krahinat, e armiku t’i ketë rrethuar qytetet e tija, e kur të ketë ndrydhur çdo sëmundje e ligështi, 29 në qoftë se ndokush prej popullit tënd Izraelit do të lutet duke e pranuar plagën e dobësinë e vet dhe nëse i shtrin duart e veta drejt kësaj Shtëpie, 30 Ti dëgjoje prej qiellit, prej vendit të banimit tënd, ki mëshirë dhe shpërbleje gjithkënd sipas udhëve të tija, sepse ti e njeh zemrën e secilit. Sepse ti i vetmi i njeh zemrat e bijve të njerëzve, 31 që të të druajnë e të ecin udhëve të tua në të gjitha ditët e jetës së tyre sa të rrojnë mbi faqen e tokës, të cilën ua dhurove etërve tanë.

32 Po edhe të huajin, atë që nuk i përket popullit tënd Izraelit, nëse vjen prej një vendi të largët pse ka dëgjuar për Emrin tënd të madh, për dorën tënde të fortë, për krahun tënd të tendur e në qoftë se lutet në këtë vend, 33 dëgjoje prej qiellit, banesës sate të patundshme, dhe plotësoji gjithçka të ketë kërkuar ai shtegtar që ta njohin të gjithë popujt e dheut Emrin tënd dhe të të nderojnë porsi populli yt Izraeli. Le ta marrin vesh se ka qenë thirrur Emri yt mbi këtë Shtëpi që unë e ndërtova.

34 Kur populli yt të ketë dalë në luftë kundër armiqve të vet udhës që ti ta kesh drejtuar dhe, të të lutet me fytyrë drejt këtij qyteti që ti e ke zgjedhur dhe këtij Tempulli që e ndërtova në nder të Emrit tënd, 35 dëgjoji prej qiellit lutjet e përlutjet e tyre dhe jepu të drejtë.

36 Por kur të kenë mëkatuar kundër teje ‑ sepse s’ka njeri që nuk mëkaton ‑ e ti të jesh hidhëruar e t’i kesh lëshuar në duar të armiqve, e këta t’i kenë shpënë robër, në një vend të largët apo të afërm, 37 e në qoftë se me gjithë zemër në atë vend, ku kanë qenë humbur si skllevër, bëjnë pendesë dhe të luten në tokën e skllavërisë së tyre duke thënë: ‘Mëkatuam, bëmë keq, vepruam si është më keq’, 38 dhe kthehen tek ti me gjithë zemrën e tyre dhe me gjithë shpirtin e tyre në dheun e skllavërisë së tyre, ku do të kenë qenë humbur, e nëse të luten në drejtim të vendit të vet, që ua dhurove etërve të tyre, të këtij qyteti, që ti e zgjodhe dhe të kësaj Shtëpie, që ia ndërtova Emrit tënd, 39 ti atëherë prej qiellit, prej vendit të banesës sate, veshtroji lutjet e përlutjet e tyre, gjyko dhe fale popullin tënd, që mëkatoi kundër teje, 40 sepse ti je Hyji im”!

Përfundimi i lutjes

“Priri sytë e tu, po të lutem, e vërja veshin lutjes që thuhet në këtë vend! 41 Tani, ngrihu, o Zot Hyj, e hyr në vendin e pushimit tënd, ti dhe Arka e fuqisë sate! Priftërinjtë e tu, o Zot Hyj, le të veshen me shëlbim e shenjtërit e tu le t’i gëzojnë të gjitha të mirat! 42 O Zot Hyj, mos e përbuz fytyrën e të shuguruarit tënd! Le të bien në mend përkrahjet që ia bëre Davidit, shërbëtorit tënd”!

2 i Kronikave: 7. Kushtimi

7

1 Kur Salomoni e kreu lutjen, nga qielli zbriti zjarri dhe e përpiu flinë e shkrumbimit e theroret dhe madhëria e Zotit e mbushi Shtëpinë. 2 Priftërinjtë nuk mund të hyjnë në Shtëpinë e Zotit, sepse madhëria e Zotit e mbushi Tempullin. 3 Po ashtu edhe të gjithë bijtë e Izraelit e shikonin zjarrin dhe lavdinë e Zotit duke zbritur mbi Shtëpinë dhe duke rënë me fytyrë përmbi truall të shtruar me gurë, e adhuruan dhe e lavdëruan Zotin: “Sepse ai është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij”!

4 Atëherë mbreti dhe mbarë populli zunë të flijojnë therore para Zotit. 5 Kështu mbreti Salomon kushtoi fli njëzet e dy mijë bagëti të trasha, njëqind e njëzet mijë bagëti të imëta dhe mbreti me mbarë popullin e shuguroi Shtëpinë e Zotit. 6 Priftërinjtë i kryenin shërbesat e tyre e levitët i jepnin lavdi Zotit me veglat muzikore të Zotit që i kishte punuar mbreti David për të lavdëruar Zotin: “Sepse e amshueshme është dashuria e tij”! Ata i këndonin këngët që i kishte nxjerrë Davidi. Ndërkaq priftërinjtë u binin borive para tyre e populli mbarë qëndronte qiri në këmbë.

7 Salomoni e shuguroi gjithashtu edhe mesin e tremes para Tempullit të Zotit; sepse aty i kishte kushtuar flitë e shkrumbimit, dhjamin e flive të pajtimit, sepse lteri i bronztë që e kishte punuar, nuk mund t’i zinte flitë e shkrumbimit, kushtimoret dhe dhjamin e tyre.

8 Në atë kohë Salomoni festoi shtatë ditë dhe bashkë me të edhe mbarë Izraeli, një tubim shumë i madh, prej hyrjes në Emat e deri te përroi i Egjiptit. 9 Të tetën ditë u bë një kuvend i madh meqënëse shugurimi i lterit zgjati shtatë ditë, edhe kremtimi zgjati po aq ditë. 10 Kështu më njëzet e tre të muajit të shtatë e lëshoi popullin të shkojë në çadrat e veta, të kënaqur e të gëzuar për të mirën që ia kishte bërë Zoti Davidit e Salomonit dhe Izraelit, popullit të vet.

Përgjigjja hyjnore

11 Salomoni e kreu Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e vet, dhe ia doli të përfundojë gjithçka kishte synuar të bënte në Shtëpinë e Zotit e në pallatin e vet. 12 Atëherë natën Salomonit iu dëftua Zoti e i tha: “E dëgjova lutjen tënde dhe këtë vend e zgjodha për vend flie timin. 13 Kur unë ta mbyll qiellin që të mos bjerë shi, kur t’u urdhëroj karkalecave ta shkretojnë tokën e kur ta çoj murtajën në popullin tim, 14 e populli im, i ndëshkuar, mbi të cilin qe thirrur Emri im, nëse ka për t’u lutur, nëse ka për ta kërkuar fytyrën time e nëse do të kthehet prej udhëve të veta të mbrapshta, atëherë unë prej qiellit do ta dëgjoj dhe do t’ia falë mëkatet e tija dhe do ta shëroj tokën e tyre. 15 Tani sytë e mi do të jenë të çelur e veshët e mi të prirur ta dëgjojnë lutjen e atij që do të lutet në këtë vend. 16 Vërtet e zgjodha dhe e shugurova këtë vend që të banojë në të përgjithmonë Emri im, sytë e mi dhe zemra ime do të qëndrojnë aty përgjithmonë.

17 Në qoftë se edhe ti do të jetosh në praninë time, siç eci yt atë Davidi, dhe nëse do të bësh gjithçka si të kam urdhëruar dhe nëse do t’i mbash rregulloret dhe vendimet e mia, 18 do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, siç i jam zotuar Davidit, babait tënd kur i thashë: Nuk do të mungojë prej derës sate trashëgimtari që të jetë prijës në Izrael. 19 Por, në qoftë se do të më lini e do t’u shmangeni urdhërave dhe urdhërimeve të mia që jua parashtrova, e do të shkoni t’u shërbeni hyjnive të huaja e do t’i adhuroni ato, 20 atëherë do t’ju çrrënjos prej tokës sime që jua dhurova dhe këtë Shtëpi që ia kushtova Emrit tim, do ta flak prej syve të mi dhe do ta bëj përrallë e lojë për të gjithë popujt. 21 E për këtë Shtëpi, që ishte e mrekullueshme, kushdo do të kalojë përbri saj do të çuditet e do të thotë: ‘Pse Zoti ia bëri kështu këtij vendi dhe kësaj Shtëpie’? 22 E do të përgjigjen: ‘Sepse e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej Egjiptit e u lidhën me zota të huaj dhe i adhuruan ata e i nderuan, prandaj edhe erdhën mbi ta të gjitha këto të zeza’”.

2 i Kronikave: 8. Përfundim: mbarimi i ndërtimit

8

1 Si kaluan njëzet vjet gjatë të cilëve Salomoni e ndërtoi Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e vet, 2 ai i rindërtoi edhe qytetet që ia kishte dhënë Hirami dhe i vendosi të banojnë në to bijtë e Izraelit.

3 Salomoni pastaj shkoi në Ematin të Sobës dhe e pushtoi. 4 E rindërtoi Palmirën në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet drithnikë që i kishte pasë ndërtuar në Emat. 5 I ndërtoi edhe Betoronin e Sipërm e Betoronin e Poshtëm, qyteza të fortifikuara me mure, dyer e shula. 6 Po ashtu edhe Balaatin dhe të gjitha qytetet drithnikë që ishin të Salomonit dhe të gjitha qytetet e karrocave të luftës dhe qytetet e kalorësve. Gjithçka Salomoni dëshiroi e synoi të ndërtojë, ndërtoi në Jerusalem, në Liban e në mbarë vendin e pushtetit të vet.

7 Të gjithë hetitët, amorrenjtë, ferezenjtë, hevenjtë e jebusenjtë, që kishin shpëtuar e nuk ishin izraelitë, 8 bijtë e atyre që kishin mbetur në vend, të cilët nuk i kishin vrarë bijtë e Izraelit, Salomoni i ngarkoi me angari deri në ditën e sotme. 9 Bijtë e Izraelit, Salomoni nuk i bëri skllevër për të punuar për të, sepse ata ishin luftëtarë, prijës të luftërave të tija, prijës të karrocave të luftës dhe të kalorësisë së tij. 10 Prijësit e mbikëqyrësve që i kishte mbreti Salomon ishin dyqind e pesëdhjetë. Këta ishin në krye të popullit.

11 Prej Qytetit të Davidit Salomoni e kaloi bijën e faraonit në pallatin që e kishte ndërtuar për të. Ai pleqëroi: “S’do të jetojë gruaja ime në pallatin e Davidit mbretit të Izraelit, sepse është i shuguruar, pasi në të hyri Arka e Zotit”.

12 Atëherë Salomoni i kushtoi Zotit fli shkrumbimi në lter të Zotit që e kishte ndërtuar para tremes, 13 që çdo ditë të kushtoheshin në të sipas urdhërit të Moisiut: në të shtuna, për hënë të re dhe në të kremte tri herë në vit: d. t. th. në të kremten e Pabrumeve, në të kremten e Javëve dhe në të kremten e Tendave. 14 Sipas vendimeve të Davidit, të babait të vet, i caktoi rendete priftërinjve në shërbesat e tyre dhe levitët sipas rendeve të tyre, që të lavdërojnë e të shërbejnë pranë priftërinjve sipas ritit të përditshëm, derëtarët sipas ndërresave të tyre, secili në derën e vet: sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Hyjit. 15 Dhe nuk i shkelën urdhërat e mbretit lidhur me priftërinjtë e me levitët në asgjë as në rojën e thesarëve.

16 Kështu u zbatua vepra e Salomonit që prejditës që iu hodhën themelet shtëpisë së Zotit deri në ditën që i dha fund asaj.

Lavdia e Salomonit

17 Atëherë Salomoni shkoi në Asiongabër dhe në Ailat, në bregun e Detit të Kuq, që është në Edom. 18 Atje Hirami ia dërgoi me anë të shërbëtorëve anijet dhe detarët, mjeshtra deti, të cilët shkuan me shërbëtorët e Salomonit në Ofir dhe i sollën prej andej katërqind e pesëdhjetë talenta ar e ia prunë mbretit Salomon.

2 i Kronikave: 9. Vdekja e Salomonit

9

1 Po edhe mbretëresha e Sabës, kur dëgjoi për zërin e madh të Salomonit, erdhi për ta sprovuar atë me anë të gjëegjëzave. Erdhi në Jerusalem me një përcjellje të madhe e me gamile të ngarkuara me erëra të mira, me ar të shumtë e me gurë të paçmueshëm. Kur arriti te Salomoni, foli me të për gjithçka kishte në zemër të vet. 2 Salomoni i shtjelloi gjithçka që ajo ia kishte parashtruar dhe s’i mbeti asgjë që ai nuk ia sqaroi.

3 E kjo, pasi pa, d. m. th. urtësinë e Salomonit, shtëpinë që kishte ndërtuar, 4 ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve dhe shërbimin e mëkëmbësve të tij, veshjet e tyre, kuptarët dhe petkat e tyre, flitë që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, prej habisë, mbeti fare pa frymë! 5 Atëherë i tha mbretit: “Paska qenë e vërtetë fjala që kam dëgjuar në dheun tim për pasurinë dhe urtësinë tënde: 6 unë nuk u besoja fjalëve që thuheshin deri që erdha vetë e pashë me sytë e mi e po shoh se më paska qenë treguar a po a jo gjysma e urtësisë sate: ia tejkalove zërit të madh që kam dëgjuar! 7 Lum trimat e tu e lum shërbëtorët e tu që të rrinë pranë tërë kohën dhe e dëgjojnë urtësinë tënde! 8 Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i pëlqeu të të caktojë ty mbi fronin e vet për mbret në emër të Zotit, Hyjit tënd! Pse Hyji yt e do Izraelin e pse do ta ruajë për amshim, për këtë arsye edhe të vuri ty mbret mbi të për ta ushtruar të drejtën dhe drejtësinë”.

9 Atëherë ajo i dha mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë shumë dhe gurë të paçmueshëm. Kurrë më nuk pat aq erëra të mira si ato që mbretëresha e Sabës ia dhuroi mbretit Salomon!

10 Po ashtu edhe shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit i sollën ar prej Ofirit dhe dru sandali e gurë të çmueshëm. 11 Prej lëndës së sandalit mbreti i punoi shkallët në Shtëpinë e Zotit dhe në pallatin mbretëror si edhe cetra e harpa për këngëtarë. Kurrë nuk ishte parë lëndë e tillë në dheun e Judës!

12 Po ashtu edhe mbreti Salomon i dhuroi mbretëreshës së Sabës gjithçka dëshiroi dhe kërkoi, madje shumë më shumë se sa i kishte sjellë atij. Atëherë ajo u kthye me shërbëtorët e vet në vendin e vet.

13 Pesha e arit që i sillej Salomonit për çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari, 14 pa marrë parasysh sasinë që i vinte nga tregtarët dhe shitësit si tatim dhe sasinë e të gjithë mbretërve të Arabisë e të prijësve të vendit, të cilët i sillnin Salomonit ar e argjend.

15 Mbreti Salomon punoi dyqind mburoja ari: për secilën u përdor pesha e gjashtëqind siklave të artë. 16 Punoi gjithashtu edhe treqind mburojëza të arta: për secilën mburojëz shpenzoi nga treqind sikla të artë. Këto mbreti i vendosi në pallatin që quhet Pylli i Libanit.

17 Gjithashtu mbreti e punoi një fron të fildishtë të madh dhe e veshi me ar të kulluar. 18 I punoi edhe gjashtë shkallë, nëpër të cilat hipej në fron, mëkëmbëzën e artë dhe në të dy anët nga një bërrylëz si dhe dy luanë në këmbë afër bërrylzave. 19 Gjithashtu edhe dymbëdhjetë luanë të tjerë të vegjël në këmbë përmbi shkallë në të dy anët: një fron i tillë nuk qe në asnjë mbretëri!

20 Të gjitha enët e tryezës së mbretit ishin të arta si dhe enët e pallatit të Pyllit të Libanit ishin prej arit të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi nuk çmohej si i vlershëm. 21 E njëmend anijet e mbretit shkonin me shërbëtorët e Hiramit në Tarsis dhe njëherë në tri vjet anijet ktheheshin prej Tarsisit të ngarkuar me ar, me argjend, me fildish, me majmunë e me pallonj.

22 Mbreti Salomon i tejkaloi të gjithë mbretërit e botës me pasuri e me urtësi. 23 Të gjithë mbretërit e botës dëshironin ta shihnin Salomonin për t’ia dëgjuar urtinë që ia kishte dhuruar Hyji zemrës së tij. 24 Vit për vit i dhuronin enë të argjendta e të arta, petka, armë e erëra të mira, kuaj e mushka. 25 Salomoni kishte katër mijë stalla kuajsh, kurse kuaj e kalorës dymbëdhjetë mijë. Ato i vendosi në qytete karrocash lufte si dhe në Jerusalem, ku qëndronte mbreti. 26 Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit prej lumit Eufrat deri në tokën e filistinëve e deri në kufinj të Egjiptit. 27 Në Jerusalem solli një sasi të madhe argjendi thua se gurë, një sasi lënde cedri si manat që rriten në Sefelë. 28 Tek ai sillnin kuaj prej Egjiptit e prej çdo krahine.

Vdekja e Salomonit

29 Veprat e tjera të Salomonit, të parat e të mëpasmet, janë të shkruara në historinë e profetit Natan si dhe në Librin e profecisë së Ahisë nga Siloja si edhe në vëgimin e Ados, vegimtarit të Roboamit, birit të Nabatit.

30 Salomoni mbretëroi në Jerusalem mbi mbarë Izraelin dyzet vjet 31 e pastaj pushoi me etërit e vet. E varrosën në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Roboami, i biri.

2 i Kronikave: 10. Ndarja

10

1 Roboami shkoi në Sikem, sepse atje ishte mbledhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret. 2 Kur Jeroboami, biri i Nabatit, e kuptoi këtë ‑ ai ndodhej në Egjipit, ku kishte ikur atje prej frikës së Salomonit ‑ menjëherë u kthye. 3 E thirrën dhe ai shkoi bashkë me mbarë Izraelin. Populli i tubuar foli me Roboamin dhe i thanë: 4 “Yt atë na ka shtypur me një zgjedhë shumë të rëndë. Ti tani na e lehtëso barrën e shërbimit që na e ngarkoi yt atë dhe zgjedhën e rëndë që na e mbërtheu e ne do të të shërbejmë”. 5 Ai u përgjigj: “Ejani tek unë pas tri ditësh”.

Pasi u largua populli, 6 mbreti Roboam u këshillua me pleqtë, me të cilët këshillohej i ati i tij Salomoni kur ishte gjallë. I pyeti: “Ç’këshillë më jepni që t’i përgjigjem popullit”? 7 Ata i përgjigjën: “Nëse i pëlqen këtij populli dhe nëse i flet me fjalë të buta, do të të shërbejnë gjithmonë”. 8 Por ai e hodhi këshillën e pleqve dhe filloi të këshillohet me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin përcjellja e tij. 9 Edhe atyre u tha: “Si e mendoni ju dhe çfarë përgjigje duhet t’i japim këtij populli që më tha: ‘Na e lehtëso zgjedhën që na e ngarkoi yt atë’”! 10 Të rinjtë që kishin qenë rritur me të i përgjigjën e i thanë: “Kështu thuaji popullit që të tha: ‘Yt atë na ngarkoi zgjedhë të rëndë, ti na e lehtëso’, përgjigju e thuaju: Gishti im i vogli do të jetë më i trashë se ija e tim eti. 11 Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë, por unë do t’jua shtoj barrën; im atë ju rrahi me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me plumba”.

12 Kështu, pra, Jeroboami dhe mbarë Izraeli dolën para Roboamit të tretën ditë siç u kishte urdhëruar mbreti kur u tha: “Ejani tek unë të tretën ditë”. 13 Mbreti u përgjigj me fjalë të rënda duke mos e përfillur këshillën e pleqve. 14 U foli sipas dëshirës së të rinjve:

“Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë

e unë atë do ta bëjë edhe më të rëndë.

Im atë ju rrahi me frushkuj,

kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me krera gallomësh”.

15 Mbreti nuk i pranoi lutjet e popullit, sepse kështu ishte vullneti i Hyjit me qëllim që të plotësohej fjala e tij, të cilën ia tha me gojë të Ahisë nga Siloja Jeroboamit, birit të Nabatit.

16 Atëherë mbarë Izraeli, duke parë se mbreti s’donte t’i dëgjonte, i thanë mbretit:

“S’ kemi pjesë në Davidin

as farë trashëgimi në birin e Isait!

Kthehu, Izrael, në çadrat e tua!

Tani ti, David, kujdesu për shtëpinë tënde”!

Dhe Izraeli shkoi në çadrat e veta.

17 Roboami mbretëroi vetëm mbi ata bij të Izraelit që jetonin në qytetet e Judës. 18 Atëherë mbreti Roboam e dërgoi Aduramin, mbikëqyrësin e angarisë, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe vdiq, kurse mbreti Roboam me të shpejtë kërceu në karrocë dhe iku në Jerusalem.

19 Kështu Izraeli u nda nga Shtëpia e Davidit deri në ditën e sotme.

2 i Kronikave: 11. Veprimtaria e Roboamit

11

1 Me të arritur në Jerusalem, Roboami e bashkoi mbarë shtëpinë e Judës e të Beniaminit: njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër Izraelit e për t’ia kthyer vetes mbretërinë. 2 Porse i erdhi fjala e Zotit Semejës, njeriut të Hyjit, e i tha: 3 “Fol me Roboamin birin e Salomonit, mbretin e Judës dhe me të gjithë Izraelin që është në Judë në Beniamin: 4 Kështu thotë Zoti: Ruaj se dilni e luftoni kundër vëllezërve tuaj! Secili le të kthehet në shtëpinë e vet sepse kështu ka ndodhur pse unë ashtu kam dashur”.

Këta, kur e dëgjuan fjalën e Zotit, u kthyen dhe nuk shkuan në luftë kundër Jeroboamit.

5 Roboami banoi në Jerusalem dhe i rindërtoi qytetet e fortifikuara të Judës. 6 E rindërtoi Betlehemin, Etamin, Tekuen, 7 Betsurin, Sokon, Odolamin, 8 Getin, Maresën, Zifin, 9 Aduramin, Lakisin e Azekën, 10 Saranë, Ajalonin dhe Hebronin që ishin qytete shumë të fortifikuara në Judë e në Beniamin. 11 Pasi i rrethoi me mure, ua vuri udhëheqësit dhe shpuri në to nozulla drithërash, vaji e vere. 12 Madje edhe në çdo qytet punoi armatore shqytash e heshtash dhe i forcoi me kujdesin më të madh.

Kështu u bë sundimtar i Judës dhe Beniaminit.

Priftërinjtë marrin anën e Roboamit

13 Priftërinjtë dhe levitët që ishin kudo në Izrael i lanë vendet e veta dhe erdhën te Roboami. 14 Edhe levitët i lëshuan kullotat dhe pronat e veta dhe kaluan në Judë e në Jerusalem për arsye se Jeroboami dhe pasardhësit e tij i përjashtuan ata prej shërbesës priftërore të Zotit. 15 Jeroboami themeloi priftërinj për lartësira, për djaj e për viça që ai vetë i kishte punuar. 16 Por shumë vetë prej të gjitha fiseve të Izraelit, të gjithë ata që me zemër e kërkonin Zotin, Hyjin e Izraelit, i ndoqën ata dhe erdhën në Jerusalem për t’i kushtuar fli Zotit, Hyjit të etërve të vet. 17 Kështu e forcuan mbretërinë e Judës dhe e përkrahën Roboamin, birin e Salomonit, për tre vjet; sepse e ndoqën udhën e Davidit e të Salomonit vetëm për tre vjet.

Familja e Roboamit

18 Roboami mori për grua Mahalatën, bijën e Jerimotit, të birit të Davidit dhe të Abihajlës, bijës së Eliabit, birit të Isait. 19 Prej saj i lindën djemtë: Jehusi, Somoria dhe Zoomi. 20 Pas kësaj mori edhe Maakën, bijën e Absalomit, prej të cilës i lindën Ablai, Etaji, Zizai e Salomiti. 21 Por Roboami e deshi Maakën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha gratë dhe konkubinat e veta, sepse kishte marrë tetëmbëdhjetë gra e gjashtëdhjetë konkubina. I lindën njëzet e tetë djem e gjashtëdhjetë vajza. 22 Roboami e vuri për kryetar të vëllezërve të vet Abinë, birin e Maakës, sepse atë mendonte ta bënte mbret. 23 Dhe urtësisht i shpërndau djemtë e vet nëpër të gjitha krahinat e Judesë e të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara. I nozulloi me shumë ushqime dhe i martoi me shumë gra.

2 i Kronikave: 12. Pabesnikëria e Roboamit

12

1 Kur Roboami e forcoi dhe e përforcoi mbretërinë e vet, e la Ligjin e Zotit e me të edhe mbarë Izraeli.

2 Në vitin e pestë të mbretërimit të Roboamit, Sesaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin ‑ sepse mëkatuan kundër Zotit ‑ 3 me një mijë e dyqind karroca lufte e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, kurse numri i popullit që kishte ardhur me të nga Egjipti ishte jashtëzakonisht i madh e ishin libianë, sociitë dhe etiopianë. 4 I pushtoi qytezat e fortifikuara që ishin në Judë dhe arriti deri në Jerusalem.

5 Atëherë profeti Semeja hyri te Roboami dhe prijësit e Judesë që ishin bashkuar në Jerusalem prej frikës së Sesakut e u tha: “Kështu thotë Zoti: Ju më latë mua dhe unë ju lëshova në duar të Sesakut”. 6 Atëherë prijësit e Izraelit edhe mbreti u përvujtëruan e thanë: “Zoti është i drejtë”! 7 Kur Zoti pa se ishin përulur i tha Semejës: “Pasi u përvujtëruan, unë nuk do t’i shfaros. Menjëherë do t’i shpëtoj dhe nuk do ta zbraz zemërimin tim mbi Jerusalem me anë të Sesakut. 8 Megjithatë do të bëhen skllevërit e tij e kështu do ta kuptojnë se ç’do të thotë të më shërbejnë mua e çfarë t’u shërbejnë mbretërve të dheut”.

9 Kështu, pra, Sesaku, mbreti i Egjiptit, hyri në Jerusalem, i plaçkiti thesaret e Shtëpisë së Zotit e të pallatit të mbretit; i mori të gjitha me vete. Mori edhe mburojat e arta që i kishte punuar Salomoni. 10 Në vend të tyre mbreti Roboam i punoi prej bronzi dhe ua dha në kujdesje prijësve të rojës së pallatit mbretëror që e ruanin hyrjen e pallatit. 11 Kur mbreti hynte në Shtëpinë e Zotit, vinin rojet e i merrnin ato, pastaj përsëri i kthenin në armatoren e vet.

12 Për shkak se u përvujtërua, hidhërimi i Zotit u largua prej tij dhe nuk qe zhdukur krejtësisht. Pastaj edhe në Judë u gjet ndonjë gjë e mirë.

13 Pastaj mbreti Roboam u mëkëmb përsëri në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretërojë. Ishte dyzetenjëvjeçar kur hipi në fron dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në qytetin e Jerusalemit, të cilin Zoti e zgjodhi ndër të gjitha fiset e Izraelit për ta vendosur në të Emrin e vet. Nëna e tij quhej Naamë. Ishte me fis Amanite. 14 Bëri keq, sepse nuk e lodhi mendjen ta kërkojë Zotin.

15 Veprat e para e të sprasmet të Roboamit janë të shkruara në historinë e profetit Semeja dhe në shënimet e breznive të vegimtarit Ido, si dhe të luftërave të vazhdueshme ndërmjet Roboamit e Jeroboamit. 16 Roboami pushoi me etërit e vet. Qe varrosur në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Abia, i biri.

2 i Kronikave: 13. Lufta

13

1 Të tetëmbëdhjetin vit të mbretërisë së Jeroboamit, mbi Judë u bë mbret Abia. 2 Mbretëroi tre vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Mikajë. Ishte bija e Urielit nga Gabaa.

Atëherë shpërtheu lufta ndërmjet Abisë e Jeroboamit. 3 Abia nisi luftën me një ushtri katërqind mijë burrash të zgjedhur për luftë, kurse Jeroboami i rreshtoi në luftë kundër tij tetëqind mijë njerëz, të gjithë trima të zgjedhur e për luftë tejet të fortë.

Fjalimi i Abisë

4 Abia qëndroi në majë të malit Semeron që është në malet e Efraimit e tha: “Dëgjo, Jeroboam e mbarë Izraeli! 5 Vallë a nuk e dini se Zoti, Hyji i Izraelit, ia ka dhënë mbretërinë përgjithmonë Davidit mbi Izraelin, atij dhe pasardhësve të tij! Dhe kjo me një besëlidhje të pashkatërrueshme!

6 U çua Jeroboami, biri i Nabatit, shërbëtori i Salomonit, birit të Davidit, dhe bëri kryengritje kundër zotërisë së vet, 7 rreth tij u bashkuan disa njerëz të mbrapshtë e askushi dhe ia dolën t’i kundërshtojnë Roboamit, birit të Salomonit. Roboami ishte i ri dhe jo guximtar e s’mundi t’u bënte ballë. 8 Por edhe tani ju thoni se mund t’i bëni ballë mbretërisë së Zotit që është në dorë të bijve të Davidit. Keni një sasi të madhe populli dhe viça të artë që jua punoi për zotat tuaj Jeroboami. 9 Ju i flakët priftërinjtë e Zotit, bijtë e Aronit, edhe levitët dhe caktuat për priftërinj siç bëjnë popujt paganë. Kushdo që vjen tek ju me mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift i atij që nuk është Hyj. 10 Kurse Hyji ynë është Zoti, të cilin ne nuk e kemi lënë; priftërinjtë, bijtë e Aronit, i shërbejnë Zotit edhe levitët kryejnë shërbesën e tyre. 11 Për çdo ditë i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi, në mëngjes e në mbrëmje, djegin kem të erëmirë, paraqiten bukët e kushtimit në tryezë të pastër. Ndër ne është shandani i artë dhe dritëzat e tija që ndizen çdo mbrëmje: sepse ne i mbajmë urdhërimet e Zotit, Hyjit tonë, që ju e flakët. 12 Prandaj, në ushtrinë tonë Prijës është Hyji dhe priftërinjtë e tij që u bien borive të tingëllojnë thekshëm kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Hyjit të etërve tuaj, se qe besa s’ju del mirë”!

Luftimi

13 Ndërkaq Jeroboami i rrethoi judenjtë me një pritë pas shpine. Izraelitët ishin kështu përballë Judës dhe pas shpinës së tyre. 14 Si u sollën judenjtë, panë se u duhej të luftonin për ballë e pas shpine. Atëherë thirrën ndihmën e Zotit e priftërinjtë filluan t’u bien borive. 15 Të gjithë trimat e Judës e lëshuan britmën e kushtrimit. Dhe, ja, ndërkohë që ata po lëshonin britmën e kushtrimit, Hyji ia futi frikën në palcë Jeroboamit dhe mbarë Izraelit para Abisë dhe Judës. 16 Bijtë e Izraelit u vunë të iknin para Judenjve dhe Hyji i lëshoi në duar të tyre. 17 Kështu, pra, Abia dhe ushtria e tij bënë një emnesë mbi ta: prej izraelitëve mbetën të vrarë pesëqind mijë trima të zgjedhur. 18 Aso kohe qenë përvujtëruar rëndë bijtë e Izraelit, kurse bijtë e Judës erdhën e u forcuan, sepse shpresën e kishin vënë në Zotin, Hyjin e etërve të tyre.

Mbarimi i mbretërimit të Abisë

19 Abia e përndoqi Jeroboamin që u vu në ikje dhe i pushtoi disa qytete të tija: Betelin me fshatrat e tij, Jesanën me fshatrat e tij edhe Efronin me fshatrat e tij. 20 Gjatë jetës së Abisë, Jeroboami s’mundi më të përtërihej në fuqi. Zoti e goditi dhe Jeroboami vdiq.

21 Abia erdhi duke u forcuar. Mori katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza. 22 Historia e Abisë, sjellja dhe fjalimet e tija janë të shkruara në tregimin e profetit Ado. 23 Pastaj edhe Abia fjeti me etërit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Asa, i biri. Në kohën e këtij vendi pati paqe dhjetë vjet.

2 i Kronikave: 14. Paqja e Asës

14

1 Asa bëri atë që ishte e mirë dhe e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit të vet. I zhduki lterët e hyjnive të huaja dhe lartësirat, 2 i theu shtyllat dhe i preu banirët, 3 i urdhëroi Judës ta kërkojë Zotin, Hyjin e etërve të vet, ta zbatojë Ligjin dhe të gjitha urdhërimet. 4 I zhduki prej të gjitha qyteteve të Judës lartësirat, lterët e kemimit dhe mbretëroi në paqe. 5 I rindërtoi qytetet e fortifikuara të Judesë, pasi vendi ishte në qetësi, dhe në kohën e tij nuk u bë asnjë luftë sepse Zoti i dhuroi paqe.

6 Asa i tha Judës: “Ejani t’i ndërtojmë këto qytete, t’i rrethojmë me mure, t’i forcojmë me pirgje, me dyer e me shula deri që të gjitha t’i kemi në qetësi, pa luftë. Ne e kërkuam Zotin, Hyjin tonë; po ashtu edhe ai na kërkoi ne e na dha paqe kudo përreth”.

Ata rindërtuan dhe përparuan. 7 Asa pati edhe një ushtri të armatosur me shqyta e me heshta: treqind mijë prej Judës, kurse ushtria që e kishte prej Beniaminit ishte e armatosur me shqyta e me shigjeta dhe ishin dyqind e tetëdhjetë mijë: të gjithë këta trima të fortë.

Sulmi i Zarës

8 Zara nga Etiopia u sul kundër tyre me një ushtri prej një milion ushtarësh e me treqind karroca lufte dhe arriti deri në Maresë. 9 Po edhe Asa vrapoi t’i dalë përpara dhe e rreshtoi ushtrinë për luftë në luginën që është në veri të Maresës. 10 Asa e thirri në ndihmë Zotin, Hyjin e vet, e tha: “O Zot, për ty s’ka aspak rëndësie nëse po u ndihmon atyre që janë shumë apo pak! Na eja në ndihmë, o Zot, Hyji ynë! Me shpresë në ty dhe në Emrin tënd dolëm kundër kësaj shumice! Ti, o Zot, je Hyji ynë, të mos ngadhënjejë mbi ty njeriu!”.

11 Këndej edhe Zoti i tmerroi etiopët para Asës e Judës: etiopët ikën! 12 Asa dhe ushtria, që ishte me të, i ndoqën deri në Gerar. Etiopët sharruan deri në shfarosje, sepse qenë zhdukur duke i vrarë Zoti e duke i luftuar ushtria e tij. Këndej edhe morën pre të madhe 13 dhe i goditën të gjitha qytetet në rrethinën e Gerarës: i kishte pushtuar tmerri i Zotit. I rrafshuan të gjitha qytetet dhe morën pre të madhe me vete. 14 U ranë edhe bunave të grigjave, morën një shumicë të panumërt delesh e devesh dhe u kthyen në Jerusalem.

2 i Kronikave: 15. Qortimet e Azarisë dhe zotimet e besnikërisë

15

1 Shpirti i Hyjit e pushtoi Azarinë, birin e Odedit, 2 e Azaria i doli para Asës dhe i tha: “Ti Asë e ju të gjithë djemtë e Judës e të Beniaminit, më dëgjoni! Zoti qoftë me ju, pasi ju qetë me të! Nëse ju do ta kërkoni, ju edhe do ta gjeni! Nëse ju do ta lini, edhe ai do t’ju lërë ju! 3 Kaluan shumë ditë në Izrael pa Hyjin e vërtetë, pa prift mësues e pa Ligj. 4 Por kur u kthyen te Zoti, Hyji i Izraelit, pse ranë ngusht, dhe e kërkuan atë, ata edhe e gjetën. 5 Në ato kohë nuk kishte siguri as për atë që shkonte as për atë që vinte, 6 sepse ishte trazirë shumë e madhe për të gjithë banorët e vendeve: sepse sulej ndesh një komb kundër një kombi tjetër, një qytet kundër një qyteti tjetër, sepse Zoti i godiste me çdo lloj trazire. 7 Por juve të mos ju lëshojë zemra dhe të mos ju meken duart tuaja e shpërblimi nuk do t’ju mungojë”!

8 Kur Asa i dëgjoi këto fjalë dhe këtë profeci, mori zemër dhe i hoqi idhujt prej tokës së Judës e të Beniaminit edhe prej qyteteve të malit të Efraimit që i pushtoi dhe e shuguroi lterin e Zotit që ishte në treme të Zotit. 9 Atëherë i bashkoi të gjithë judenjtë, beniaminët dhe ardhacakët që ishin me ta nga fisi i Efraimit, i Manaseut e i Simonit, sepse me shumicë prej Izraelit ishin strehuar tek ai duke parë se Zoti, Hyji i tij, ishte me të. 10 Dhe u mblodhën në Jerusalem në të tretin muaj të të pesëmbëdhjetit vit të mbretërimit të Asës. 11 Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë që kishin sjellë: shtatëqind bagëti të trasha dhe shtatë mijë bagëti të imëta. 12 Dhanë besën se do ta kërkojnë Zotin, Hyjin e etërve të vet, me gjithë zemër e me gjithë shpirt: 13 kushdo që nuk do ta kërkojë Zotin, Hyjin e Izraelit, do të vritet me të madh e me të vogël, burra e gra. 14 Iu përbetuan Zotit me zë të lartë e me brohoritje gazmore, me tinguj borish e brirësh. 15 Të gjithë banorët e Judesë u gëzuan shumë për shkak të këtij betimi, sepse u përbetuan me gjithë zemër. Vërtet e kishin kërkuar Zotin me gjithë shpirt. Këndej edhe Zoti lejoi ta gjejnë dhe u dhuroi paqe në të gjithë kufinjtë e tyre.

16 Mbreti Asa e shfronësoi edhe Maakën, nënën e vet, dhe s’e la të jetë më Zonja mbretëreshë, sepse e kishte punuar idhullin e Aserës; Asa e copëtoi idhullin dhe, pasi e bëri copë-copë, e dogji në përroin Cedron. 17 Porse lartësirat u lanë në Izrael; megjithatë zemra e Asës ishte e përsosur gjatë gjithë jetës së tij. 18 Gjithçka kishte kushtuar ati i tij dhe ai vet, i çoi në Shtëpinë e Hyjit: argjend, ar dhe enë të ndryshme.

19 Nuk pati luftë deri në vitin e tridhjetepestë të mbretërimit të Asës.

2 i Kronikave: 16. Lufta me Izraelin

16

1 Porse në vitin e tridhjetegjashtë të mbretërimit të Asës, Baasa, mbreti i Izraelit, e sulmoi Judenë. E rrethoi me mure Ramën që askush të mos mundë të hynte e të dilte në mbretërinë e Asës. 2 Atëherë Asa nxori prej thesarit të Shtëpisë së Zotit e të pallatit mbretëror argjend e ar dhe ia dërgoi Benadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, me këtë porosi: 3 “Besabesë ndërmjet meje e teje siç ishte ndërmjet tim atit dhe babait tënd! Për këtë arsye po të dërgoj argjend e ar që ta këputësh besëlidhjen që e ke me Baasën, mbretin e Izraelit, për ta shtrënguar të më hiqet qafe”.

4 Benadadi e dëgjoi mbretin Asë dhe i dërgoi prijësit e ushtrive të veta në qytetet e Izraelit. Këta e goditën Ahionin, Danin, Abelmaimin dhe të gjitha qytetet drithnike të Neftaliut. 5 Kur e mori vesh këtë Baasa, pushoi së ndërtuari Ramën dhe i ndërpreu punimet e veta. 6 Atëherë mbreti Asa e bashkoi mbarë Judën, mori gurë e lëndë, me të cilët Baasa e kishte ndërtuar Ramën dhe me to e ndërtoi Gabanë dhe Masfën.

7 Në ato ditë tek mbreti i Judës Asa, shkoi Hananiu profet dhe i tha: “Pasi e mbështete besimin tënd në mbretin e Sirisë e jo në Zotin, Hyjin tënd, këndej edhe ushtria e Sirisë doli prej dorës sate. 8 Vallë, etiopët e libianët a nuk ishin ushtri e madhe me karroca lufte, me kalorësi e me shumë jashtëzakonisht të madhe, të cilët, pse e kishe vënë besimin në Zotin, a nuk i lëshoi në dorën tënde? 9 Sytë e Zotit vërejnë mbarë tokën dhe u japin fuqi atyre që me zemër të çiltër besojnë në Të. Prandaj në këtë rast ke vepruar si i marrë dhe prej tani do të ngrihen luftëra kundër teje”.

10 Atëherë Asa u hidhërua kundër profetit dhe urdhëroi të vihen në pranga, sepse u hidhërua në të për së forti për shkak të këtyre fjalëve. Aso kohe Asa mori masa të ashpra kundër një pjese të popullit.

Fundi i mbretërimit të Asës

11 Historia e Asës, prej fillimit e deri në mbarim, është e shkruar në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit.

12 Asa në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të vet u sëmur nga një lëngatë tejet e rëndë e këmbëve. As i sëmurë nuk e këroi Zotin, por më tepër e mbështeti besimin e vet në mjeshtrinë e mjekëve. 13 Asa fjeti me etërit e vet e, në vitin e dyzetenjëtë të mbretërimit të vet, vdiq. 14 E varrosën në varrin e tij që e kishte hapur për vete në Qytetin e Davidit. E vendosën mbi shtrat plot me erëra të mira dhe me vajëra të ndryshëm të përgatitur me mjeshtrinë e erëbërësit. Në salikimin e tij bënë një djegie të tillë të mrekullueshmeve.

2 i Kronikave: 17. Fuqia e Jozafatit

17

1 Në vend të tij u bë mbret Jozafati, biri i tij. Ky e përforcoi pushtetin e vet kundër Izraelit. 2 I dërgoi ushtarët e vet në të gjitha qytezat e Judës që ishin të rrethuara me mure. Caktoi edhe garnizone në tokën e Judës dhe në qytetet e Efraimit që i pushtoi babai i tij, Asa.

Kujdesi i tij për Ligjin

3 Zoti qe me Jozafatin, sepse sjellja e tij ishte si sjellja e babait të tij në fillim dhe nuk shpresonte në Baalën, 4 por në Hyjin e babait të vet dhe jetoi sipas urdhërave të tij e jo në mëkate si bijtë e Izraelit. 5 Zoti e bëri të fortë mbretërinë e tij. Mbarë Juda i sillte dhurata Jozafatit dhe kështu fitoi pasuri të madhe e lavdi të shquar. 6 Zemra e tij bëhej përherë e më e guximshme për të ecur udhëve të Zotit dhe kështu i zhduki në Judë lartësirat dhe banirët.

7 Në vitin e tretë të mbretërimit të vet i dërgoi prijësit e vet Benhailin, Obdinë, Zakarinë, Natanaelin e Mikenë që të jepnin mësim në qytetet e Judës. 8 Me ta ishin edhe levitët Semeja, Natania, Zabadia, Asaeli dhe Semiramoti, Jonatani, Adonia e Tobia, me ta ishin edhe priftërinjtë Elisama e Jorami. 9 Ata zunë të japin mësim nëpër Judë e për doracak e kishin Librin e Ligjit të Zotit. Këta i qarkullonin të gjitha qytetet e Judës dhe e mësonin popullin.

10 Kështu frika e Zotit i kishte pushtuar të gjitha mbretëritë e dheut, që ishin përreth Judesë dhe nuk kishin guxim të bënin luftë kundër Jozafatit. 11 Po edhe filistinët i paguanin Jozafatit tatime dhe taksa në të holla. Kështu edhe arabët i sillnin bagëti të imëta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe po aq cjepër.

12 Kështu Jozafatit dita‑ditës i rritej pushteti sa që u bë shumë i madh. Në Judé ndërtoi qyteza dhe qytete drithnike.

Ushtria

13 Kishte nozullime të begatshme në qytetet e Judës. Kishte shumë trima të fortë luftëtarë në Jerusalem. 14 Dhe, ja, njësitë sipas vëllazërive: në Judë, prijësit e ushtrisë: Prijësi Ednas dhe me të treqind mijë luftëtarë. 15 Për krah tij prijësi Johanan dhe me të dyqind e tetëdhjetë mijë. 16 Përsëri për krah të këtij Amasia, biri i Zekriut, i shuguruari i Zotit, dhe me të dyqind mijë trima të zgjedhur. 17 Prej Beniaminit burrakoçi për luftë, Eliada, e me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe e me shqyta. 18 Për krah tij Jozabadi e me të njëqind e tetëdhjetë mijë të gatshëm për luftë.

19 Këta ishin drejtpërdrejt nën shërbimin e mbretit pa i numëruar ata të tjerët që i kishte vendosur në qytezat e fortifikuara kudo në Judë.

2 i Kronikave: 18. Besëlidhja me Akabin dhe profetët

18

1 Jozafati u bë shumë i pasur dhe i përmendur. Me Akabin lidhi krushqi. 2 Pas disa vitesh zbriti tek ai në Samari. Akabi preu për të e për përcjelljen e tij bagëti të imëta e të trasha me shumicë dhe ia mbushi mendjen të ngjitej bashkë me të në Ramot Galaad. 3 Akabi, mbreti i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: “Eja me mua në Ramot Galaad”. Ai iu përgjigj: “Çka të ndodhë me ty, le të ndodhë edhe me mua; çka të ndodhë me popullin tënd, le të ndodhë edhe me timin: me ty do të vijmë në luftë”.

4 Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: “Të lutem veç, këshillohu më parë me fjalën e Zotit”. 5 Mbreti i Izraelit i bashkoi atëherë katërqind profetë dhe i pyeti: “A të shkojmë në Ramot Galaad për të luftuar a të mos shkojmë”? Ata i përgjigjën: “Shko dhe Hyji do t’ia lëshojë mbretit në dorë”. 6 Por Jozafati tha: “Vallë, a nuk ka këtu edhe ndonjë tjetër profet të Zotit që ta kërkojmë edhe këshillën e tij”? 7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: “Po, është vetëm edhe një njeri, prej të cilit mund ta kërkojmë vullnetin e Zotit; por unë atë e urrej, sepse s’ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen. Ai është Mikeja, biri i Jemlës”. Jozafati vijoi: “Mos fol kështu, o mbret”! 8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri njërin prej oborrtarëve e i urdhëroi: “Thirre menjëherë Mikenë, birin e Jemlës”.

9 Ndërkaq mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, rrinin të dy në fronet e veta të veshur me petka mbretërore. Po rrinin në lëmë përbri derës së Samarisë dhe të gjithë profetët profetizonin para tyre. 10 Sedecia, biri i Kanaanës, kishte punuar për vete brirë të hekurt e thoshte: “Kështu thotë Zoti: Me këta do t’i zhbordosh sirianët deri që t’i shfarosësh”! 11 Po edhe të gjithë profetët e tjerë profetizonin në këtë mënyrë e thoshin: “Shko në Ramot Galaad e do të fitosh. Zoti do t’i lëshojë në dorën e mbretit”.

12 Lajmëtari që kishte shkuar për ta thirrur Mikenë i tha: “Ja, fjalët e të gjithë profetëve njëzëri i lajmërojnë veç të mira mbretit, prandaj, po të lutem, që edhe fjala jote të jetë në përkim me të tyren e parakallëzoj sukses”. 13 Mikeja iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë, do ta them vetëm atë që të ma ketë thënë Hyji”!

14 Kështu, pra, erdhi para mbretit, i cili e pyeti: “Miké, a na duhet të shkojmë në Ramot Galaad për të luftuar a të mos shkojmë”? Ai iu përgjigj: “Shkoni e do të keni sukses! Armiqtë do të bien në duart tuaja”. 15 Mbreti i tha: “Përsëri po të përbej të mos më thuash tjetër përveç të vërtetën në emër të Zotit”! 16 Atëherë ai i tha:

“E pashë mbarë Izraelin

të shpërndarë maleve

porsi delet pa bari!

Atëherë Zoti më tha:

‘Këta s’kanë zot shtëpie!

Secili le të kthehet në shtëpinë e vet në paqe’”.

17 Atëherë mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “A nuk të thashë se ky nuk do të më parakallëzojë asgjë të mirë, por vetëm të keqen”?

18 Për këtë arsye Mikeja vazhdoi: “Dëgjojeni fjalën e Zotit: E pashë Zotin tek po rrinte mbi fronin e vet; mbarë ushtria qiellore qëndronte në të djathtën e në të majtën e tij. 19 Atëherë pyeti Zoti: Kush do ta mashtrojë Akabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sharrojë në Ramot Galaad? Meqenëse dikush thoshte kështu e dikush ashtu, 20 doli një shpirt dhe qëndroi para Zotit e tha: ‘Unë do ta mashtroj’! E Zoti e pyeti: ‘Në ç’mënyrë do ta mashtrosh’? 21 Ai iu përgjigj: ‘Do të dal e do të bëhem shpirt gënjeshtrues në gojën e të gjithë profetëve të tij’. Atëherë Zoti i tha: ‘Do ta mashtrosh e do të kesh sukses! Dil e bëj ashtu’! 22 Dije pra, se Zoti e ka vënë në gojën e të gjithë profetëve të tu shpirtin e gënjeshtrës, kurse në të vërtetë ta parakallëzon fatkeqësinë”.

23 Ndërkaq u afrua Sedecia, biri i Kanaanës, i ra shuplakë në faqe Mikesë e tha: “Cilës rrugë shpirti i Zotit doli prej meje për të folur ty”? 24 Mikeja tha: “Ti vetë do ta shohësh atë ditë, kur do të kalosh prej një vrimë në tjetrën për t’u fshehur”! 25 Atëherë mbreti i Izraelit dha urdhër: “Merreni Mikenë e çojeni tek Amoni, komandanti i qytetit e te Joasi, djali i mbretit, 26 e thoni: Mbreti urdhëron: Hidheni këtë njeri në burg e jepini vetëm nga pak bukë e ujë derisa unë të kthehem shëndosh e mirë”. 27 Mikeja i tha: “Nëse ti kthehesh shëndosh e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur nëpër mua.” Dhe shtoi: “Mbajeni mend të gjithë, o popull”!

Luftimi. Ndërhyrja e një profeti

28 Kështu, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, u nisën kundër Ramotit të Galaadit. 29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: “Unë po i ndërroj petkat dhe do të hyj në luftë, kurse ti mbaji petkat mbretërore”. Mbreti i Izraelit i ndërroi petkat dhe hyri në luftë.

30 Mbreti i Sirisë u kishte urdhëruar prijësve të vet të karrocave të luftës e u kishte thënë: “Mos luftoni kundër të voglit as të madhit, por vetëm kundër mbretit të Izraelit”. 31 Kështu, pra, kur prijësit e karrocave e panë Jozafatin, menduan: “Ky është mbreti i Izraelit!”, dhe e rrethuan për t’iu sulur. Por Jozafati e thirri në ndihmë Zotin e Zoti i ndihmoi dhe Hyji i largoi ata prej tij. 32 Prijësit e karrocave kur panë se ai nuk ishte mbreti i Izraelit, e lanë. 33 Por ndodhi që një prej popullit gjuajti me shigjetë ashtu, pa ditur se kë e gjuan dhe e goditi mbretin e Izraelit mu në rrudhën ndërmjet brezit dhe pancirit. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: “Silli kuajt e më nxirr nga lufta se jam plagosur”! 34 Luftimi atë ditë u bë përherë e më i ashpër dhe mbreti i Izraelit qëndroi në këmbë në karrocën e vet përballë sirianëve deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit vdiq.

2 i Kronikave: 19. Reformat e gjyqit

19

1 Jozafati, mbreti i Judës, u kthye në shtëpi të vet në Jerusalem shëndosh e mirë. 2 Jehui vegimtar, biri i Hananiut, porsa e pa, i doli para e i tha: “Ti po i ndihmon të patenzonit, lidh miqësi me ata që e urrejnë Zotin që ta meritosh hidhërimin e Zotit! 3 Megjithatë u gjetën në ty disa vepra të mira, sepse ti i zhduke prej vendit banirët dhe e përgatite zemrën tënde për ta kërkuar Hyjin”.

Reformat e gjyqit

4 Jozafati, pas një qëndrimi në Jerusalem, doli përsëri në mes të popullit prej Bersabesë deri në malet e Efraimit dhe e ktheu popullin kah Zoti, Hyji i etërve të vet. 5 I caktoi gjykatësit e vendit në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës, në çdo qytet. 6 Të gjithë gjykatësve u urdhëroi: “Kujdes çfarë bëni! Sepse ju nuk e ushtroni gjyqin në emër të njerëzve, por në emër të Zotit që është me ju në ushtrimin e drejtësisë. 7 Kini frikën e Zotit e bëni gjithçka me urtësi! Te Zoti, Hyji ynë, s’ka dredhi! Ai nuk pranon përkrahje as dhurata”!

8 Po edhe në Jerusalem Jozafati i caktoi disa levitë, disa priftërinj dhe disa prej krerëve të vëllazërive të Izraelit, që ta ushtrojnë drejtësinë e Zotit në rast mosmarrëveshjesh në mes banorëve të Jerusalemit. 9 Edhe atyre u urdhëroi: “Ja si duhet të veproni: me frikën e Zotit, me besnikëri e me zemër të çiltër. 10 Çdo mosmarrëveshje ndërmjet vëllezërve tuaj që jetojnë në qytetet e veta e vjen para jush ‑ qoftë ajo çështje vrasjeje, ligji, urdhri, dokeje, përkujtoni të mos mëkatojnë kundër Zotit e që hidhërimi i tij të mos bjerë mbi ju e mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu e nuk do të mëkatoni! 11 Dhe ja, Amaria, prifti prijës, do të jetë në krye të të gjithë juve në ato çështje që kanë të bëjnë me Hyjin, kurse Zabadia, biri i Ismahelit që është prijësi i shtëpisë së Judës, do të kryesojë për të gjitha çështjet që i përkasin mbretit. Levitët do t’i keni pranë jush si shkrues. Zemër dhe nisjani punës! Zoti jua priftë mbarë”!

2 i Kronikave: 20. Feja dhe kënga e shenjtë në luftë kundër moabëve

20

1 Pas kësaj bijtë e Moabit, bijtë e Amonit e me ta edhe maonitët, u bashkuan për të luftuar kundër Jozafatit. 2 Erdhën disa lajmëtarë dhe e njoftuan Jozafatin kështu: “Po vjen kundër teje një shumicë e madhe prej vendeve që janë përtej detit: prej Edomit dhe ja, arritën në Asasonta‑ mar, d. t. th. në Engadi”.

3 Ndërkaq Jozafati i tronditur nga frika, u përqëndrua krejtësisht në lutje Zotit dhe urdhëroi të agjërojë mbarë Juda. 4 Të gjithë judenjtë u bashkuan për t’iu lutur Zotit. Erdhën nga të gjitha qytetet për t’iu lutur Zotit.

5 Atëherë Jozafati u ngrit në këmbë para tubimit të Judës në Jerusalem, në Shtëpinë e Zotit, para tremes së re 6 dhe tha: “O Zot, Hyji i etërve tanë! Ti je Hyji qiellor, ti zotëron me të gjitha mbretëritë e kombeve! Në dorën tënde është fuqia dhe pushteti! Askush s’mundet të të bëjë ballë ty! 7 A s’qe ti, Hyji ynë, ai që i çrrënjosi banorët e këtij vendi para popullit tënd, Izraelit, e ia dhurove farës së Abrahamit, mikut tënd të përhershëm? 8 Ata banuan në të dhe në të e ndërtuan në nder të Emrit tënd Shenjtëroren e u lutën: 9 ‘Nëse sulen kundër nesh të këqijat: shpata hakmarrëse, murtaja ose uria, do të qëndrojmë para kësaj Shtëpie, në praninë tënde ‑ sepse Emri yt banon në këtë Shtëpi ‑ dhe në vështirësitë tona do të kërkojmë ndihma prej teje e ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh’! 10 Dhe, ja, tani bijtë e Amonit, bijtë e Moabit e malësorët e Seirit, nëpër të cilët nuk i dha leje Izraelit të kalojë, kur po dilte nga Egjipti, por u shmangën prej tyre e nuk i shfarosën ‑ 11 e ata tani po bëjnë çmos e po mundohen të na dëbojnë prej pronës sate që ti na e dhurove. 12 Hyji ynë, vallë a nuk do ta zbatosh mbi ta dënimin tënd? E pra ne nuk kemi aq fuqi sa të mund t’i bëjmë ballë gjithë kësaj morie që po sulet mbi ne; por, pasi nuk dimë se çfarë na duhet të bëjmë, s’na ka mbetur tjetër shpresë përveç se t’i drejtojmë sytë tanë te ti”.

13 Të gjithë judenjtë me foshnja, gra e fëmijë të vet qëndronin në këmbë para Zotit. 14 Atëherë, mes kuvendit të dheut, shpirti i Zotit e pushtoi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Banajës, të birit të Jehielit, të birit të Matanisë, një levit prej bijve të Asafit. 15 Ky tha: “Më dëgjoni të gjithë, o judenj edhe ju banorë të Jerusalemit dhe ti, mbreti Jozafat! Kështu ju urdhëron Zoti: Mos u trembni as mos ia kini frikën kësaj morie të madhe, s’do të luftoni ju, por Hyji! 16 Nesër zbritni kundër tyre! Ata do t’i ngjiten tatëpjetës që quhet Sis. Do t’i gjeni në krye të përroit të thatë, që është përballë shkretëtirës Jeruel. 17 S’do të jeni ju ata që do të luftoni; ju vetëm qëndroni në këmbë dhe do ta shihni ndihmën e Zotit mbi ju, o judenj e jerusalemas! Mos u trembni as mos kini frikë! Nesër dilni ballë për ballë kundër tyre dhe Zoti do të jetë me ju”!

18 Atëherë Jozofati ra me fytyrë përdhe si dhe të gjithë judenjtë e jerusalemasit ranë me fytyrë përdhe para Zotit dhe e adhuruan. 19 Ndërkaq levitët ‑ bijtë e Kaatit dhe bijtë e Koreut ‑ u ngritën ta lavdëronin Zotin, Hyjin e Izraelit, me zë të lartë.

20 Të nesërmen u çuan heret e dolën në shkretëtirën Tekue. Ndërsa po niseshin, mes tyre zuri vend në këmbë Jozafati e tha: “Më dëgjoni judenj e banorë të Jerusalemit! Besoni në Zotin, Hyjin tuaj, e do t’i përballoni, besojuni profetëve të tij dhe gjithçka do t’ju shkojë për së mbari!” 21 U këshillua me popullin dhe i caktoi këngëtarët e Zotit që, të veshur me petka të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë për ta lavdëruar Zotin e të thonë me zë të përkueshëm: ‘Lëvdojeni Zotin, sepse e amshueshme është dashuria e tij’!

22 Porsa filluan të këndojnë lavde, Zoti i solli pritat e tyre kundër Amonit, Moabit e malësisë së Seirit, që kishin dalë të luftojnë kundër Judës dhe i goditi. 23 Bijtë e Amonit dhe bijtë e Moabit u ngritën kundër banorëve të malësisë së Seirit për t’i zhdukur e shfarosur. Pasi i sosën ata, zunë të sulmojnë dhe të vrasin njëri‑tjetrin.

24 Kur judenjtë dolën në majë të kodrës nga shihej shkretëtira, panë gjithkund mbarë lëndinën të mbuluar me kufoma dhe se s’kishte mundur asnjë t’i shpëtojë vdekjes. 25 Atëherë shkoi Jozafati dhe mbarë populli me të për ta mbledhur prenë. Gjetën me shumicë kafshë, pasuri, petka e enë të çmueshme. Morën aq shumë sa s’mund t’i bartnin të gjitha: aq shumë pre morën sa që u desh t’i bartnin për tri ditë. 26 Të katërtën ditë u bashkuan në luginën Barakë. Aty i dhanë lavdi Zotit dhe për këtë arsye atë vend e quajtën Rrafshi i Bekimit deri në ditën e sotme. 27 Të gjithë judenjtë e jerusalemasit me Jozafatin në krye u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh, sepse Zoti i kishte kënaqur me fitoren mbi armiqtë 28 dhe hynë në Shtëpinë e Zotit në Jerusalem me harpa, cetra e bori. 29 Frika e Zotit përshkoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur morën vesh se Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit. 30 Mbretëria e Jozafatit gëzoi qetësi e Hyji i tij i dha paqe kudo përreth.

Mbarimi i mbretërimit të Jozafatit

31 Jozafati mbretëroi mbi Judenë. Ishte tridhjetë e pesë vjeçar kur filloi të mbretëronte. Në Jerusalem mbretëroi njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selakiut. 32 Eci udhës së babait të vet Asës duke mos u shmangur nga ajo e duke bërë vetëm atë që është e drejtë ndër sytë e Zotit. 33 Megjithatë nuk qenë hequr lartësirat, sepse populli ende nuk e kishte drejtuar zemrën e vet tek Hyji i etërve të vet.

34 Historinë tjetër të Jozafatit, prej fillimit e deri në mbarim, e ke të shkruar në tregimet e Jehuit, birit të Hananiut, që janë shënuar në librat e mbretërve të Izraelit.

35 Më vonë Jozafati, mbreti i Judës, lidhi miqësi me Ohozinë, mbretin e Izraelit, veprat e të cilit ishin tejet të këqija. 36 U bë pjesëtar me të për të ndërtuar anije që të lundronin në Tarsis. Anijet i punuan në Asiongabër. 37 Eliezeri, biri i Dodisë, nga Maresa, profetizoi kundër Jozafatit e tha: “Pasi lidhe besëlidhje me Ohozinë, Zoti i prishi punët e tua”. Anijet iu shpartalluan dhe nuk mundën të shkojnë në Tarsis.

2 i Kronikave: 21. Mbretëria e Joramit

21

1 Jozafati pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Jorami, biri i tij.

5. PAUDHËSITË DHE VËSHTIRËSITË NËN SUNDIMIN E JORAMIT, AKAZISË, ATALISË DHE JOASIT

Mbretëria e Joramit

2 Jorami ka pasur gjashtë vëllezër, bij të Jozafatit: Azarinë, Jahielin, Zakarinë, Azarinë, Mikaelin e Safatinë. Të gjithë këta ishin bijtë e Jozafatit, mbretit të Izraelit. 3 I ati i tyre u dha shumë dhurata në argjend dhe ar, gjëra të çmueshme dhe qytete të fortifikuara në Judë, kurse mbretërinë ia dha Joramit, sepse ky ishte i parëlinduri.

4 Jorami, si e mori në dorë mbretërinë e të atit dhe, pasi e përforcoi pushtetin, me shpatë i preu të gjithë vëllezërit e vet dhe disa prej prijësve të Izraelit.

5 Jorami ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi tetë vjet. 6 Ndoqi udhën e mbretërve të Izraelit, siç kishte vepruar shtëpia e Akabit, sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij. Ai bëri gjëra që janë të këqija para syve të Zotit. 7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta zhdukte familjen e Davidit, për shkak të besës që e kishte lidhur me të dhe pse i kishte premtuar se do t’ia linte atij dhe bijve të tij një dritë të ndezur përgjithmonë.

8 Gjatë mbretërimit të tij Edomi u çua në kryengritje për të mos ndenjur nën sundimin e Judës dhe e vuri mbretin e vet. 9 Jorami, së bashku me prijësit e vet dhe me karrocat e luftës që ishin me të, e kaloi kufirin, u çua natën e i ra Edomit që e kishte rrethuar atë dhe të gjithë prijësit e karrocave të luftës, dhe i mundi. 10 Megjithatë Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën sundimin e Judës dhe e fitoi pavarësinë që e ka edhe në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput nga dora e tij edhe Lobna, sepse Jorami e kishte lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet. 11 Për më tepër ai ndërtoi edhe lartësira në malet e Judës, i bëri të lavirësojnë banorët e Jerusalemit e ta lërë Juda rrugën e Zotit. 12 Aso kohe i arriti një letër prej profetit Eli, në të cilën i shkruante: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: Pasi nuk ece udhëve të Jozafatit, babait tënd, as udhëve të Asës, mbretit të Judës, 13 por more rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëre të lavirësojë Juda e jerusalemasit duke e ndjekur lavirësinë e shtëpisë së Akabit e, pasi, për më tepër i vrave edhe vëllezërit e tu, bijtë e atit tënd, më të mirë se veten: 14 ja, Zoti do ta godasë me fatkeqësi të madhe popullin tënd, bijtë e gratë e tua dhe gjithë pasurinë tënde. 15 E ti do të sëmuresh me një sëmundje tepër të keqe barku, kështu që, dalëngadalë, për çdo ditë zorrët e tua do të dalin përjashta”.

16 Atëherë Zoti e zgjoi kundër Joramit shpirtin e armiqësisë të filistinëve e të arabëve që jetojnë afër etiopiasve. 17 Ata i ranë Judesë, e sulmuan dhe e rrëmbyen gjithë pasurinë që kishte pallati mbretëror, pastaj edhe bijtë e gratë e tija dhe s’i mbeti djalë tjetër, përveç Joakazit, që ishte djali më i vogël. 18 Pas kësaj Zoti e goditi me një sëmundje të pashërueshme barku. 19 Ditë pas dite, koha po shkonte e, në krye të dy vjetëve, kështu e shkriu sëmundja e gjatë deri sa i dolën zorrët dhe vdiq në dhembje të papërshkrueshme. Vdiq prej kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Populli nuk i bëri djegie erërash të mira, siç u kishte bërë të parëve të tij.

20 Ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi për tetë vjet. Vdiq pa iu dhembsur askujt. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

2 i Kronikave: 22. Mbretërimi i Ohozisë

22

1 Banorët e Jerusalemit në vend të tij e bënë mbret Ohozinë, djalin e tij më të voglin, sepse të gjithë më të mëdhenjtë i vranë hordhitë që kishin depërtuar në fushim me arabët. Mbret, pra, u bë Ohozia, biri i Joramit, mbretit të Judës. 2 Ohozia ishte djalë njëzet e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi vetëm një vit. Nëna e tij quhej Atali. Ishte bija e Amriut. 3 Edhe ky e ndoqi udhën e familjes së Akabit. Nëna e tij e shtyu të veprojë keq. 4 Kështu, pra, bëri keq para syve të Zotit porsi shtëpia e Akabit, sepse për rrënimin e tij pikërisht këta u bënë këshilltarë të tij pas vdekjes së babait. 5 Jetoi sipas këshillave të tyre dhe shkoi në luftë me Joramin, birin e mbretit të Izraelit, kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramot të Galaadit. Sirianët e plagosën Joramin. 6 Jorami u kthye në Jezrahel për t’u shëruar nga plagët që i mori në luftimin e sipërpërmendur.

Kështu Ohozia, biri i Joramit, mbret i Judës, zbriti për ta vizituar Joramin, birin e Akabit që lëngonte në Jezrahel. 7 Në të vërtetë ishte vullneti i Hyjit në dëm të Ohozisë që të shkonte në vizitë tek Jorami dhe, kur qe tek ai, të dilte me të kundër Jehuit, birit të Namsiut, të cilin Zoti e kishte shuguruar mbret për ta shfarosur shtëpinë e Akabit. 8 Pra ndërsa Jehui po zbatonte vendimin e gjykatës kundër familjes së Akabit, i gjeti prijësit e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ohozisë duke i shërbyer atij, dhe i vrau. 9 E kërkoi edhe vetë Ohozinë dhe e kapën të fshehur në Samari. Kur e sollën tek Jehui, e vrau. E varrosën sepse thanë: është biri i Jozafatit që me gjithë shpirt e ka kërkuar Zotin.

Krimi i Atalisë

Dhe nuk mbeti askush në shtëpinë e Ohozisë që të mund të mbretëronte. 10 Atëherë, Atalia, nëna e tij, kur pa se i vdiq i biri, u çua dhe i vrau të gjithë trashëgimtarët mbretërorë të fisit të Judës. 11 Porse Jozabeta, bija e mbretit, e mori Joasin, birin e Ohozisë, e vodhi nga mesi i bijve të mbretit ndërkohë që po i vritnin, dhe e fshehi bashkë me nanëshoren e tij në dhomën e fjetjes. Jozabeta që e kishte fshehur atë, ishte bija e Joramit, gruaja e Jojadës, kryepriftit dhe e motra e Ohozisë. Kështu fëmija shpëtoi pa u vrarë nga Atalia. 12 Qëndroi, pra, me ta i fshehur në Shtëpinë e Hyjit gjashtë vjet, ndërsa mbretëronte mbi mbarë vendin Atalia.

2 i Kronikave: 23. Priftërinjtë kundër Atalisë

23

1 Të shtatin vit Jojada u vendos. Çoi e i thirri urdhërqindësit e ushtrisë: Azarinë, birin e Jerohamit, Ismahelin, birin e Johananit, Azarinë, birin e Obedit, Maasinë, birin e Adajës edhe Elisafatin, birin e Zekriut dhe bëri me ta besëlidhje. 2 Këta e qarkulluan Judenë dhe i bashkuan levitët prej të gjitha qyteteve të Judës dhe prijësit e vëllazërive të Izraelit, dhe erdhën në Jerusalem. 3 Mbarë kuvendi i dheut, i mbajtur në Shtëpinë e Hyjit, lidhi besë me mbretin. Jojada u tha: “Ja, biri i mbretit! Le të mbretërojë siç ka thënë Zoti për bijtë e Davidit! 4 Dhe, ja, se çfarë duhet të bëni. 5 Një e treta e juaj që të shtunën hyni në shërbim edhe priftërinj edhe levitë e derëtarë, le të qëndrojnë në dyer; kurse një e treta pjesë le të qëndrojë në pallatin mbretëror dhe e treta pjesë tjetër në derën që quhet e Themelit, ndërsa mbarë populli tjetër le të qëndrojë në tremet e Shtëpisë së Zotit. 6 Askush tjetër të mos hyjë në Shtëpinë e Zotit përveç priftërinjve dhe ata levitë që janë në shërbim: le të hyjnë vetëm ata, sepse ata janë të shuguruar. Mbarë populli tjetër le t’u përmbahet urdhëresave të Zotit. 7 Të gjithë levitët, secili me armë në dorë, le të qëndrojnë përreth mbretit. Nëse ndokush tjetër hyn në Tempull, le të vritet. Le t’i rrinë përkrah mbretit ngado që të shkojë”.

8 Kështu, pra, levitët dhe mbarë Juda bënë ashtu si u urdhëroi kryeprifti Jojada. Secili i mori njerëzit e vet që të shtunën hynin në shërbim bashkë me ata që të shtunën do ta lëshonin shërbimin: sepse kryeprifti Jojadë nuk i la të shkonin ndërresat që për çdo të shtunë e kishin zakon të zëvendësoheshin. 9 Prifti Jojadë, ua dha urdhërqindësve heshtat, shqytat e shqytëzat e mbretit David që ruheshin në Shtëpinë e Hyjit. 10 E vendosi mbarë popullin, secilin me armë në dorë, prej pjesës së djathtë të Tempullit deri në pjesën e majtë të Tempullit rreth e rreth mbretit para lterit e Tempullit. 11 Atëherë e nxorrën djalin e mbretit, ia dhanë kurorën dhe dëshminë, dhe e bënë mbret. Atëherë prifti Jojada dhe bijtë e tij e shuguruan dhe pastaj brohoritën: “Rroftë mbreti!”.

12 Porsa Atalia dëgjoi popullin që vraponte e i brohoriste mbretit, hyri në mes të popullit në Tempullin e Zotit. 13 Kur e pa mbretin duke qëndruar në mëkëmbëzën e vet në hyrje, prijësit e borizanët përreth tij e mbarë popullin e vendit duke u gëzuar e duke u rënë borive, dhe këngëtarët me vegla muzikore të ndryshme duke i dhënë shenjë këndimit të këngëve të lavdit, i shqeu petkat e veta e bërtiti: “Tradhti! Tradhti!”.

14 Atëherë prifti Jojada u urdhëroi urdhërqindësve që ishin në krye të ushtrisë, e u tha: “Nxirreni jashtë hijes së Tempullit! Ai që e përkrah, le të vritet përjashta me shpatë!”. Sepse prifti u kishte urdhëruar: “Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit”! 15 Ata e kapën. Kur hyri nga dera e Kuajve të pallatit mbretëror, e vranë aty.

Reforma e Jojadës

16 Jojada bëri besëlidhje ndërmjet vetes, mbarë popullit dhe mbretit se do të jenë popull i Zotit. 17 Prandaj mbarë populli shkoi në faltoren e Baalit dhe e rrënuan atë, lterët dhe truporet e idhullit i copëtuan, kurse Matanin, priftin e Baalit, e vranë para lterëve.

18 Jojada i caktoi mbikëqyrësit e Shtëpisë së Zotit nën pushtetin e priftërinjve dhe levitëve që Davidi i kishte ndarë përpara në rende për shërbesë në Tempull që të kushtonin flitë e shkumbimit në nder të Zotit, siç shkruan në Ligjin e Moisiut, me hare e këngë sipas vendosjes së Davidit. 19 I caktoi gjithashtu edhe derëtarët në dyert e Shtëpisë së Zotit që të mos hynte brenda askush i papastër dhe për asnjë arsye. 20 Atëherë i mori urdhërqindësit e trimat e zgjedhur, prijësit e popullit dhe mbarë vogëlinë dhe e nxorën mbretin nga Shtëpia e Zotit, e kaluan nëpër derën e Sipërme në pallatin mbretëror dhe e vendosën në fronin mbretëror. 21 Mbarë populli u gëzua dhe qyteti ra në qetësi. Atalinë e prenë me shpatë.

2 i Kronikave: 24. Joasi e rindërton Tempullin

24

1 Joasi s’kishte më shumë se shtatë vjet kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi dyzet vjet. E ëma e kishte emrin Sebi. Ishte nga Bersabeja. 2 Gjatë të gjithë ditëve të kryepriftit Joadë bëri çka ishte e mirë ndër sytë e Zotit. 3 Jojada e martoi me dy gra, prej të cilave i lindën djem e vajza.

4 Më vonë Joasi vendosi ta rindërtojë Shtëpinë e Zotit. 5 I bashkoi priftërinjtë dhe levitët e u tha: “Shkoni në qytetet e Judës e mblidhni çdo vit prej të gjithë izraelitëve para për ta rindërtuar Tempullin e Hyjit. Bëjeni këtë punë me nxitim!” Por levitët nuk nxituan. 6 Atëherë mbreti e thirri Jojadën, që ishte i pari i tyre, e i tha: “Pse nuk u kujdese t’i shtrëngosh levitët të mbledhin prej Judës e prej Jerusalemit paratë që i caktoi Moisiu, shërbëtori i Zotit, që i kanë për detyrë të gjithë anëtarët e bashkësisë së Izraelit t’i sjellin në Tendën e Takimit? 7 Atalia e pafe dhe bijtë e saj e kanë lënë të shkojë dëm Shtëpia e Hyjit dhe për më tepër të gjitha gjërat e kushtuara të Tempullit të Zotit, ua kushtuan Baalëve”.

8 Prandaj mbreti dha urdhër e ata e punuan një arkë dhe vendosën te dera e Shtëpisë së Zotit, përjashta. 9 Pastaj u shpall në Judë e në Jerusalem se duhej të sillej te Zoti pagesa që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ia kishte caktuar Izraelit në shkretëtirë. 10 Të gjithë prijësit dhe populli u gëzuan, erdhën e sollën dhe hodhën aq sa arka u mbush.

11 Tani, kur ishte koha të çohej te mbarështuesja mbretërore që ishte në duar të levitëve, e kur shihnin se ka shumë para, vinte shkruesi i mbretit dhe ai që e caktonte prijësi i priftërinjve, i nxirrnin paratë që ishin në arkë, kurse arkën e vinin përsëri në vendin e saj. Kështu bënin kohë pas kohe dhe u bashkua një sasi e madhe parash. 12 Mbreti dhe Jojada paratë ua dhanë atyre që ishin në krye të punimeve të Shtëpisë së Zotit. Këta me to i paguanin gdhendësit e gurëve, mjeshtrit e punimeve të ndryshme për rindërtimin e Shtëpisë së Zotit, si dhe farkëtarët e hekurit e të bronzit për ta forcuar Shtëpinë e Tënzot. 13 Punëtorët e vazhduan punën; puna përparonte në duart e tyre, e ndreqën Shtëpinë e Zotit, e prunë në gjendjen e parë dhe e bënë të fortë. 14 Kur i kryen këto punime, pjesën e parave që teproi e sollën para mbretit dhe para Jojadës. Me to u punuan enët e Tempullit për shërbesë dhe për fli shkrumbimi, kupa dhe enë të tjera ari e argjendi.

Sa qe gjallë Jojada vazhdimisht u kushtuan në Shtëpinë e Zotit çdo ditë flitë e shkrumbimit.

15 Por Jojada, plak i ngarkuar me shëngjergja, vdiq njëqind e tridhjetë vjeçar. 16 E varrosën në Qytetin e Davidit bashkë me mbretër, sepse bëri mirë në Izrael ndaj Zotit e ndaj Shtëpisë së tij.

Rënia e Joasit dhe ndëshkimi

17 Pasi vdiq Jojada, prijësit e Judës hynë te mbreti dhe e përshëndetën me nderim. Mbreti i zbutur me dhurata kësaj here i dëgjoi. 18 Kështu e lanë Tempullin e Zotit, Hyjit të etërve të vet, dhe i nderuan banirët e shuguruar dhe idhujt. Për shkak të këtij mëkati të tyre, hidhërimi i Zotit shpërtheu kundër Judës e Jerusalemit. 19 U qenë dërguar profetë që të ktheheshin nga Zoti. Profetët i qortonin, por ata nuk ua vinin veshin.

20 Këndej Shpirti i Hyjit e pushtoi Zakarinë, birin e priftit Jojada. Ky qëndroi përpara popullit e u tha: “Kështu thotë Hyji: Pse i shkelni urdhërimet e Zotit? Kjo gjë nuk do t’jua sjellë të mirën! Pasi ju e latë Zotin, edhe Zoti do t’ju lërë ju!”. 21 Ata u çuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit e mbytën me gurë në tremen e Shtëpisë së Zotit. 22 Mbretit Joas nuk deshi t’i bjerë ndër mend dashuria që ia kishte treguar Jojada, babai i tij, por e vrau të birin e tij, që, duke vdekur, tha: “Zoti paftë e pagoftë!”.

23 Tashti, në krye të vitit, u çua kundër tij ushtria e Sirisë, i ra Judës e Jerusalemit, i shfarosën të gjithë prijësit e popullit dhe mbarë prenë ia dërguan mbretit në Damask. 24 E, megjithëse kishte ardhur një numër i vogël sirianësh, Zoti e lëshoi në duart e tyre një ushtri shumë të madhe për arsye se e kishin lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet. Edhe kundër Joasit, ushtruan dënime poshtëruese. 25 Ata shkuan dhe e lanë shumë të sëmurë. Kundër tij u çuan shërbëtorët e tij dhe, për ta marrë gjakun e birit të priftit Jojadë, e vranë në shtratin e tij dhe vdiq. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.

26 Ata që u çuan kundër tij qenë: Zabadi, biri i Semaatit Amonaj, dhe Jozabadi, biri i Semaritit Moabaj.

27 Lidhur me bijtë e tij, me tatimet që ai i mblodhi, me rindërtimin e Shtëpisë së Hyjit u shkrua në shtjellimet e Librit të Mbretërve. Në vend të tij u bë mbret i biri, Amasia.

2 i Kronikave: 25. Qëndrimi fetar i Amasisë

25

1 Amasia ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi njëzet e nëntë vjet. Nëna e tij e kishte emrin Joaden. Ishte nga Jerusalemi. 2 Ai bëri atë që është e mirë para syve të Zotit, megjithatë jo me zemër të përsosur. 3 Kur pa se ishte tashmë i sigurtë në fronin e vet, i vrau shërbëtorët e vet që ia kishin vrarë të jatin, mbretin, 4 por nuk i mbyti bijtë e tyre sipas asaj që shkruan në Librin e Ligjit të Moisiut, ku urdhëroi Zoti e tha: “Të mos vriten etërit për faj të fëmijëve, as fëmijët për faj të etërve të tyre, por secili le të vdesë për shkak të fajit të vet”.

Lufta kundër Edomit

5 Amasia i bashkoi të gjithë judenjtë dhe i renditi sipas vëllazërive dhe ua caktoi mijëtarët e urdhërqindësit për mbarë Judenë e Beniaminin. I numëroi prej njëzet vjeç e përpjetë. I dolën treqind mijë të rinj që do të mund të dilnin në luftë, të bartnin heshtë e shqyt. 6 Për para i mori me vete edhe njëqind mijë izraelitë, burra të fortë për njëqind talenta argjendi.

7 Por një njeri i Hyjit iu paraqit mbretit e i tha: “O mbret, mos të bjerë me ty në luftë ushtria e Izraelit. Ti e di se Zoti nuk është me izraelitët as me bijtë e Efraimit. 8 Nëse mendon të luftosh në sajë të fuqisë së ushtrisë, Zoti do të bëjë të mundesh prej armikut: e di se Hyjit i takon e të ndihmojë e të vërë në ikje”! 9 Atëherë Amasia iu përgjigj njeriut të Hyjit: “Po si t’i bëhet atëherë me njëqind talenta që ua dhashë ushtarëve izraelitë”? iu përgjigj njeriu i Hyjit: “Ka Zoti nga të jep shumë më shumë se kaq”! 10 Atëherë Amasia e ndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai prej Efraimit, që të ktheheshin në vend të vet. Ata, të zemëruar për së tepërmi kundër Judës, u kthyen në vendin e vet.

11 Atëherë Amasia, plot guxim, e mori ushtrinë e vet, shkoi në Luginën e Kripave dhe i vrau dhjetë mijë seiras. 12 Bijtë e Judës i zunë robër edhe dhjetë mijë të tjerë, i çuan në buzë të një qete të madhe, i plandosën prej buzës në greminë dhe të gjithë u bënë copë më copë. 13 Por ushtria, të cilën Amasia e kishte kthyer prapa të mos shkonte me të në luftë, u ra qyteteve të Judës, prej Samarisë e deri në Betoron, dhe, pasi i vrau tri mijë, rrëmbeu edhe pre të madhe.

14 Por Amasia kur u kthye pas fitores mbi idumenj, i mori me vete idhujt e bijve të Seirit, i bëri hyjni të vetat, i adhuronte ata dhe u digjte kem. 15 Për këtë arsye zemërimi i Zotit u ndez kundër Amasisë dhe i dërgoi një profet për t’i thënë: “Përse i adhuron zotat që nuk e shpëtuan popullin e vet prej duarve të tua”? 16 Ndërsa profeti po i fliste këto fjalë, ai iu përgjigj: “Vallë a të kemi bërë këshilltar të mbretit? Pusho! Se të të vrasin”! Duke u larguar profeti, tha: “E unë e di se Hyji ka caktuar që ti të vritesh, sepse e bëre këtë gjë e tani as që po e merr parasysh këshillën time”!

Lufta kundër Izraelit

17 Pasi e mbajti një këshillim, Amasia, mbreti i Judës, dërgoi disa njerëz tek Joasi, biri i Joakazit, të birit të Jehuit, mbretit të Izraelit, me këto fjalë: “Eja t’i sprovojmë forcat”! 18 Ai e dërgoi lajmëtarin me këtë porosi: “Ferra e gomarit që ka mjaft në Liban, dërgoi shkues te cedri i Libanit për t’i thënë: ‘Jepja vajzën tënde djalit tim për grua’! Por ja, kafshët e egra që ndodheshin në Liban, duke kaluar, e shqelmuan ferrën e gomarit. 19 Të ka shkuar ndër mend: ‘I shpartallova edomasit!’, prandaj edhe të është rritur mendja e krenohesh. Rri në shtëpinë tënde! Pse ia kërkon të zezën vetes, të sharrosh ti dhe mbarë Juda me ty”?

20 Por Amasia nuk deshi të dëgjonte. Ishte vullneti i Zotit që të binte në duar të armiqve pse i nderonte idhujt e Edomit. 21 Atëherë erdhi Joasi, mbreti i Izraelit. U ndeshën në luftim ballë për ballë ai dhe Amasia, mbreti i Judës, në Betsames të Judesë. 22 Judenjtë u shpartalluan prej izraelitëve dhe secili iku në çadrën e vet. 23 Joasi, mbreti i Izraelit, e zuri të gjallë Amasinë, mbretin e Judës, birin e Joasit, të birit të Joakazit, në Betsames dhe e çoi në Jerusalem, ku e rrënoi murin e Jerusalemit prej derës së Efraimit deri në derën e Këndit, katërqind kute. 24 E mori krejt arin e argjendin dhe të gjitha enët që i gjeti në Shtëpinë e Hyjit tek Obededomi, visaret e pallatit mbretëror si dhe disa pengje, dhe i çoi në Samari.

Mbarimi i mbretërimit

25 Amasia, biri i Joasit, mbret i Judesë, jetoi pas vdekjes së Joasit, të birit të Joakazit, mbretit të Izraelit, edhe pesëmbëdhjetë vjet.

26 Veprat e tjera të Amasisë, prej fillimit e deri në fund, janë të shkruara në Librin e Mbretërve, të Judës e të Izraelit.

27 Amasisë, pas kohës kur e mënjanoi Zotin, i vunë një pusi në Jerusalem. Ky iku në Lakis. Ata dërguan pas tij në Lakis dhe aty i vranë. 28 E mbartën me kuaj dhe e varrosën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.

2 i Kronikave: 26. Fillimi i mbretërimit të Ozisë

26

1 Mbarë populli i Judës e bëri mbret në vend të të jatit, Amasisë, Ozinë gjashtëmbëdhjetë vjeçar. 2 Ky e rindërtoi Ailatin pasi e ktheu nën sundimin e vet, pas vdekjes së mbretit.

3 Ozia kishte gjashtëmbëdhjetë vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi në Jerusalem pesëdhjetë e dy vjet. Emri i nënës së tij ishte Jekelia. Ishte nga Jerusalemi. 4 Bëri çfarë ishte e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte vepruar Amasia, i ati. 5 Ai e kërkoi Hyjin sa qe gjallë Zakaria i cili e mësoi në frikën e Hyjit. Tërë kohën sa e kërkoi Zotin, Hyji ia dha të mbarën.

Fuqia e tij

6 Doli t’i luftojë filistinët; i rrënoi muret e Getit, muret e Jabnisë dhe muret e Azotit. Pastaj ndërtoi disa qyteza në krahinën e Azotit dhe të filistinëve. 7 Hyji i ndihmoi kundër filistinëve e kundër arabëve, që jetonin në Gurbaal, dhe kundër meunitëve. 8 Edhe amonitët i paguanin tatime Ozisë. Emri i tij u përhap deri në hyrje të Egjiptit, sepse ishte bërë shumë i fortë.

9 Ozia në Jerusalem ndërtoi kulla përmbi derën e Këndit, përmbi derën e Luginës e në Kënd dhe i fortifikoi. 10 Edhe në shkretëtirë ndërtoi kulla e hapi shumë cisterna, sepse kishte shumë bagëti si në Sefelë ashtu edhe në vërri. Mbante gjithashtu shumë bujq e vreshtarë në male e në rrafshina të pjellore: ishte njeri që i pëlqente bujqësia.

11 Ozia kishte një ushtri të stërvitur dhe të shkathët që shkonte në luftë në togje, të ndara në njësi sipas numërimit të bërë prej shkruesit Jehiel dhe mbikëqyrësit Masisë. E udhëhiqte Hanania, që ishte një ndër prijësit e mbretit. 12 Numri i të gjithë krerëve të vëllazërive, trima të zgjedhur, ishte dy mijë e gjashtëqind. 13 Nën drejtimin e tyre ishte mbarë ushtria, treqind e shtatë mijë e pesëqind luftëtarë të aftë për luftë, të gatshëm të luftojnë për mbretin kundër çdo armiku. 14 Për ta, d. m. th. për mbarë ushtrinë, Oziu bëri gati shqyta, heshta, tarogza, mburoja, harqe dhe bahe për të goditur me gurë. 15 Në Jerusalem punoi disa makina të sendërtuara me mjeshtri, të cilat i vendosi në pirgje dhe në kënde të mureve për të gjuajtur me shigjeta e me gurë të mëdhenj. Për të u hap zë i madh dhe i shkoi larg, sepse Zoti i ndihmonte jashtëzakonisht dhe e kishte bërë shumë të fortë.

Krenaria dhe ndëshkimi

16 Por kur u bë i fuqishëm, erdhi e iu rrit mendja për të zezën e vet. I ra në faj Zotit, Hyjit të vet. Hyri në Tempullin e Zotit dhe deshi të digjte kem në lterin e kemimit. 17 Menjëherë hyri pas tij prifti Azaria e me të priftërinjtë e Zotit tetëdhjetë burra të fortë, 18 i dolën përballë mbretit e i thanë: “Nuk të takon ty, o Ozi, të djegësh kem në nder të Zotit, por priftërinjve, bijve të Aronit, që janë të shuguruar për këtë shërbesë. Dil nga shenjtërorja, sepse e ke lënë rrugën dhe Zoti Hyj këtë nuk do ta çmojë për nder”!

19 Atëherë Ozia u hidhërua dhe, duke e mbajtur kemoren në dorë për të kemuar me kem, iu kërcënua priftërinjve. Por aty për aty i doli gërbula në shteg të ballit në praninë e priftërinjve në Shtëpinë e Zotit mbi lterin e kemimit. 20 Kur e pa prifti Azaria dhe të gjithë priftërinjtë e tjerë gërbulën në ballin e tij, menjëherë e hodhën përjashta; madje edhe ai vetë nxitoi të dalë jashtë, sepse Zoti e kishte goditur me këtë shuplakë.

21 Kështu, pra, mbreti Ozia mbeti i gërbulur deri në ditën e vdekjes së vet. Banoi në një shtëpi të ndarë veçmas, i zgjebosur, përherë i përjashtuar nga Shtëpia e Zotit. Kurse shtëpinë e tij e drejtoi Joatami, biri i tij, i cili e udhëhoqi popullin e vendit.

22 Historinë tjetër të Ozisë, prej fillimit deri në fund, e shkroi profeti Isaia, biri i Amosit. 23 Edhe Ozia pushoi me të parët e vet dhe e varrosën në arën e varrezave mbretërore, sepse thoshin: ‘Ka qenë i gërbulur’. Në vend të tij u bë mbret Joatami, i biri.

2 i Kronikave: 27. Mbretërimi i Joatamit

27

1 Kur filloi të mbretëronte, Joatami kishte njëzet e pesë vjet dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Jerusë dhe ishte bija e Sadokut. 2 Bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit duke i përngjasuar sjelljes së babait të tij, Ozisë, me përjashtim se nuk hyri në Tempullin e Zotit. Por populli vazhdonte ta linte rrugën e Zotit.

3 Ai e ndërtoi derën e Lartë të Shtëpisë së Zotit dhe bëri shumë punime në murin e Ofelit. 4 Ndërtoi gjithashtu edhe qytete në malet e Judës dhe ndërtoi kështjella e pirgje në pyje. 5 Luftoi kundër mbretit të bijve të Amonit dhe i mundi kështu, bijtë e Amonit i dhanë atë vit njëqind talenta argjendi, dhjetë mijë kore grurë dhe po aq kore elb. Kaq i dhanë bijtë e Amonit edhe në vitin e dytë edhe në vitin e tretë. 6 Joatami erdhi dhe u përforcua sepse i drejtoi udhët e veta në praninë e Zotit, Hyjit të vet.

7 Veprat e tjera të Joatamit, jeta e tij, si dhe të gjitha luftërat që i bëri, janë të shkruara në Librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës. 8 Kur u bë mbret ishte njëzet e pesë vjeçar dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. 9 Edhe Joatami pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret i biri, Akazi.

2 i Kronikave: 28. Pafeja e Akazit, babait të Ezekisë

28

1 Akazi ishte njëzet vjeçar kur u bë mbret e mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. Nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit si kishte bërë Davidi, i ati i tij, 2 por ndoqi udhët e mbretërve të Izraelit. Për më tepër ky punoi edhe trupore të Baalëve. 3 Ky është ai që kushtoi kem në Luginën e birit të Enomit dhe i kaloi në zjarr bijtë e vet pas zakonit të shëmtuar të popujve paganë, të cilët Zoti i dëboi para bijve të Izraelit. 4 Ky flijonte dhe digjte kem në lartësira e në kodra nën çdo lëndë të gjelbër.

Pushtimi

5 Zoti, Hyji i tij, e lëshoi në duar të mbretit të Sirisë, i cili e theu, zuri një numër të madh robërish dhe i çoi në Damask. Edhe ky qe lëshuar në duar të mbretit të Izraelit, i cili i shkaktoi një humbje të tmerrshme. 6 Faceu, biri i Romelisë, vrau në një ditë të vetme njëqind e njëzet mijë judenj, të gjithë trima luftëtarë, sepse e kishin mënjanuar Zotin, Hyjin e të parëve të vet. 7 Po aso kohe Zekriu, trim i fortë nga Efraimi, vrau birin e mbretit Maasinë, përgjegjësin e oborrit mbretëror, Ezrikën, dhe Elkanën, njeriun e dytë pas mbretit. 8 Bijtë e Izraelit morën prej vëllezërve të vet si pre lufte dyqind mijë gra, djem e vajza dhe pre të tjetër të pamasë dhe e çuan në Samari.

Izraelitët e dëgjojnë profetin Oded

9 Ndodhej aty një profet i Zotit që quhej Oded. Ky i doli në takim ushtrisë që po kthehej në Samari e u tha: “Ja, i zemëruar Zoti, Hyji i etërve tuaj, kundër Judës, i lëshoi ata në duart tuaja. Ju i vratë mizorisht kaq sa arriti deri në qiell mizoria juaj. 10 Për më tepër doni t’i bëni skllevër e robëresha bijtë e Judës e të Jerusalemit. Po a nuk e dini se edhe ju jeni fajtorë kundrejt Zotit, Hyjit tuaj?! 11 Ma dëgjoni, pra, këshillën: ktheni robërit që i sollët prej vëllezërve tuaj, sepse zemërim i tmerrshëm i Zotit do të bjerë mbi kokat tuaja”!

12 Atëherë u dolën para atyre që po ktheheshin prej luftës disa nga krerët e bijve të Efraimit: Azaria, biri i Johananit, Barakia, biri i Mosolamotit, Ezekia, biri i Selumit, dhe Amasa, biri i Adaliut 13 e u thanë: “Mos i futni këtu robërit, sepse mjaft peshon mbi ne mëkati para Zotit. Ju doni ta shtoni numrin e mëkateve dhe të fajeve tona. Ne edhe kështu jemi për së tepërmi fajtorë dhe zemërimi i hidhërimit të Zotit rëndon mbi Izraelin”!

14 Atëherë luftëtarët i lanë robërit dhe mbarë prenë që kishin marrë para prijësve dhe bashkësisë. 15 Atëherë disa burra të shënuar për emër u çuan, i ngushëlluan robërit, i veshën ata që ishin të zhveshur me petka të presë. Pasi i veshën, i mbathën, i përtërinë me ushqim e me pije, i lyen me barna dhe i kthyen me kujdes, madje të gjithë ata që nuk mund të ecnin, i vunë mbi shtazë, e i çuan tek vëllezërit e tyre në Jeriko, në qytetin e Palmave. Pastaj u kthyen në Samari.

Mëkatet dhe vdekja e Akazit

16 Aso kohe mbreti Akaz çoi të kërkonte ndihmë prej mbretit të Asirisë. 17 Idumenjtë erdhën edhe një herë dhe e mundën Judën e i zunë robër. 18 Gjithashtu edhe filistinët ishin shtrirë nëpër qytetet e Judës në Sefelë e në Nageb; e pushtuan Betsamesin, Ajalonin, Gaderotin edhe Sokon me fshatrat e tij, Tamnanin e Gamzon me fshatrat e tyre dhe zunë të banojnë në to. 19 Zoti e kishte përulur Judën për shkak të Akazit, mbretit të Izraelit, sepse ia kishte liruar frerët Judës dhe e kishte urryer Zotin.

20 Erdhi kundër tij Teglatfalnasari, mbreti i Asirisë, dhe në vend që ta ndihmonte e shtypi. 21 Akazi edhe pse e rrëmbeu Shtëpinë e Zotit, pallatin mbretëror e të prijësve dhe ia dha mbretit të Asirisë, prapë se prapë s’pati kurrfarë përfitimi.

22 Çka është edhe më zi, edhe në kohën e ngushticës së vet, e shtoi urrejtjen kundër Zotit. Shih mbreti Akaz 23 u flijoi hyjnive të Damaskut që e kishin ndrydhur e tha: “Zotat e mbretërve të Sirisë po u ndihmojnë; unë do t’i bëj për vete me fli e ata do të më vijnë në ndihmë”. Por përkundrazi, ata qenë rrënimi i tij dhe i mbarë Izraelit. 24 Akazi i mblodhi të gjitha enët e Shtëpisë së Zotit, i theu, i mbylli dyert e Tempullit të Hyjit dhe ndërtoi lterë në çdo kënd të Jerusalemit. 25 Po ashtu edhe në të gjitha qytetet e Judës ndërtoi lartësira për t’u djegur kem hyjnive të huaja dhe kështu bëri të hidhërohet Zoti, Hyji i etërve të tij.

26 Veprat e tjera të tijat, të të gjitha punëve të tija, prej fillimit deri në fund, janë të shkruara në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit. 27 Edhe Akazi fjeti me etërit e vet dhe e varrosën në qytetin e Jerusalemit. Nuk e rrëmuan në varret e mbretërve të Izraelit.

Në vend të tij u bë mbret i biri, Ezekia.

2 i Kronikave: 29. Pastrimi i Tempullit

29

1 Ezekia u bë mbret në moshën njëzet e pesë vjeçare. Mbretëroi në Jerusalem njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Abi. Ishte bija e Zakarisë. 2 Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, siç kishte vepruar Davidi, stërgjyshi i tij.

Pastrimi i Tempullit

3 Në muajin e parë, të vitit të parë të mbretërimit të vet, Ezekia i hapi dyert e Shtëpisë së Zotit dhe i ndreqi ato. 4 I thirri priftërinjtë e levitët, i bashkoi në sheshin e lindjes 5 dhe u tha: “Më dëgjoni, levitë! Më parë shenjtërohuni ju e pastaj pastrojeni Shtëpinë e Zotit, Hyjit të etërve tuaj! Mënjanoni nga Shenjtërorja çdo papastërti. 6 Etërit tanë mëkatuan e bën të keqen në sytë e Zotit, Hyjit tonë. E lanë atë. E kthyen fytyrën në anën tjetër, ia kthyen shpinën dhe shkuan larg shtëpisë së Zotit. 7 Për më tepër i mbyllën dyert që ishin në treme, i fikën dritëzat, nuk dogjën kem dhe nuk kushtuan fli të shkrumbimit në Shenjtëroren e Hyjit të Izraelit. 8 Këndej edhe u ndez flakë hidhërimi i Zotit kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie e loje, siç po shihni me sytë tuaj. 9 Dhe, ja, etërit tanë ranë rrah prej shpatës; bijtë tanë, bijat tona e gratë qenë humbur në robëri për shkak të këtij mëkati. 10 Tani kam vendosur në zemrën time të lidh besëlidhje me Zotin, Hyjin e Izraelit, që ta largojë prej nesh zemërimin e hidhërimit të vet. 11 Bijtë e mi, mos jini të pakujdesshëm, sepse ju ka zgjedhur Zoti të qëndroni para tij, t’i shërbeni, ta adhuroni e t’i digjni kem”.

12 Atëherë u çuan levitët: Mahati, biri i Amasait e Joeli, biri i Azarisë, prej Kaatajve; kurse prej bijve të Merariut Cisi, biri i Abdiut e Azaria, biri i Jalelelit; prej bijve të Gersonit Joahi, biri i Zemës e Edeni, biri i Joahit; 13 kurse prej bijve të Elisafanit Samriu e Jahieli; ndërsa prej bijve të Asafit, Zakaria e Matania; 14 e prej bijve të Hemanit, Jahieli e Semeji, po edhe prej bijve të Iditunit, Semeja e Ozieli. 15 I bashkuan vëllezërit e vet, u shenjtëruan dhe hynë sipas urdhrit të mbretit e të Zotit për ta shpërblyer Shtëpinë e Hyjit. 16 Hynë gjithashtu edhe priftërinjtë në Tempullin e Hyjit për ta pastruar atë, e larguan çdo papastërti që gjetën brenda në anije dhe e nxorrën jashta në oborr. Atëherë levitët i morën dhe i nxorrën përjashta në përroin Cedron. 17 Filluan të shenjtërojnë ditën e parë të muajit të parë dhe të tetën ditë të të njëjtit muaj, hynë në tremen e Tempullit të Zotit dhe e shenjtëruan Tempullin e Zotit gjatë tetë ditëve, kështu që të gjashtëmbëdhjetën ditë të të njëjtit muaj, e kryen.

Flia e pendimit

18 Atëherë hynë te mbreti Ezeki e i thanë: “E kemi pastruar mbarë Shtëpinë e Zotit: lterin e flive të shkrumbimit, të gjitha enët e tija, tryezën e bukëve të kushtimit dhe enët e saja, 19 i kthyem të gjitha orenditë e tempullit që i kishte larguar mbreti Akaz gjatë mbretërimit dhe të pabesnikërisë së tij, dhe i shenjtëruam të gjitha. Ja, të gjitha i kemi vënë përbri lterit të Zotit”.

20 Mbreti Ezeki u ngrit herët në mëngjes, i bashkoi të parët e qytetit dhe shkoi në Shtëpinë e Zotit. 21 Sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjepër si fli për mëkatet e mbretërisë, për Shenjtëroren dhe për Judën. Atëherë u urdhëroi priftërinjve, bijve të Aronit, t’i kushtojnë përmbi lter të Zotit. 22 I prenë mëzetërit dhe priftërinjtë e morën gjakun dhe e zbrazën mbi lter. I prenë edhe deshtë dhe gjakun e tyre e derdhën mbi lter; i prenë edhe qengjat dhe gjakun e tyre e zbrazën mbi lter. 23 I afruan cjeptë e caktuar për fli për mëkat para mbretit dhe para bashkësisë dhe i vunë duart mbi ta, 24 priftërinjtë i flijuan ata dhe gjakun e tyre e spërkatën mbi lter për shpërblim të mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte dhënë urdhër të bëhej fli shkrumbimi dhe fli për mëkat e mbarë Izraelit.

25 Mbreti i caktoi levitët në Shtëpinë e Zotit me cimbale, harpa e cetra sipas rregullores së Davidit, të vegimtarit të mbretit, Gadit, dhe të profetit Natan, sepse urdhëri erdhi prej Zotit me anë të profetëve. 26 Qëndruan pra, në këmbë levitët me veglat muzikore të Davidit dhe priftërinjtë me bori. 27 Ezekia urdhëroi të kushtohej flia e shkrumbimit mbi lter. Ndërkohë që po flijohej flia e shkrumbimit, ia filluan t’i këndonin lavde Zotit, t’u bien borive dhe t’i përcillnin me vegla të ndryshme muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit. 28 Mbarë populli adhuronte, këngëtarët dhe ata që mbanin boritë vazhdonin shërbesën e vet ndërkohë që flijohej deri që u krye flia e shkrumbimit. 29 Kur mori fund kushtimi, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, ranë me faqe përdhe dhe adhuruan. 30 Mbreti dhe prijësit u urdhëruan levitëve t’i këndojnë Zotit lavde me fjalë të Davidit dhe të Asafit vegimtar. E lavdëruan me hare të patregueshme, u gjunjëzuan dhe adhuruan.

31 Atëherë Ezekia shtoi edhe këtë: “Tani, pasi i keni shuguruar duart tuaja për t’i shërbyer Hyjit, afrohuni e kushtoni theroret e flitë e falenderimit në Shtëpinë e Zotit”. Sepse mbarë bashkësia kishte sjellë kushte e fli falenderimi. Kushdo, që i mbastonte zemra, kushtonte fli shkrumbimi.

32 Numri i flive të shkrumbimit, që i kishte sjellë bashkësia, kishte: shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh, dyqind qingja; të gjitha këto fli shkrumbimi në nder të Zotit. 33 U shuguruan si kusht gjashtëqind bagëti të trasha e tri mijë bagëti të imëta. 34 Meqenëse priftërinj ishin pak dhe nuk mund t’ia dilnin t’i rripnin kafshët për fli shkrumbimi, këndej u ndihmuan edhe levitët, vëllezërit e tyre, deri që nuk u krye puna e nuk u shenjtëruan priftërinjtë e tjerë, sepse levitët kanë qenë më të zellshëm se priftërinjtë për t’u shenjtëruar. 35 E pati shumë fli shkrumbimi, dhjamë të flive pajtimore si dhe njomje që u përkasin flive të shkrumbimit.

Kështu u rikthye shërbesa hyjnore e Shtëpisë së Zotit. 36 Prandaj u gëzua Ezekia dhe mbarë populli që Zoti e bëri këtë gjë për popull, sepse të gjitha këto u bënë papritmas.

2 i Kronikave: 30. Thirrje për kremtimin e Pashkëve

30

1 Ezekia dërgoi njerëz nëpër mbarë Izraelin e Judën, madje shkroi edhe letra në Efraim e një Manasé që të vijnë në Jerusalem në Shtëpinë e Zotit për t’i kremtuar Pashkët në nder të Zotit, Hyjit të Izraelit. 2 Pasi u këshilluan mbreti, prijësit dhe mbarë kuvendi i dheut në Jerusalem, vendosën që Pashkët t’i kremtojnë në muajin e dytë, 3 sepse nuk mundën t’i kremtojnë në kohën e caktuar, pasi nuk kishin qenë kushtuar aq priftërinj që të mund të mjaftonin, e as populli ende nuk kishte qenë mbledhur në Jerusalem. 4 Parashtrimi i pëlqeu mbretit dhe mbarë bashkësisë 5 dhe vendosën të dërgohen lajmëtarë në mbarë Izraelin që nga Bersabeja deri në Dan, që të bashkohen në Jerusalem e t’i kremtojnë Pashkët në nder të Zotit, Hyjit të Izraelit, sepse shumica e madhe nuk kishte kremtuar sipas rregulloreve të parapara.

6 Kasnecët u nisën me letra nga dora e mbretit dhe e prijësve të tij në mbarë Izraelin e në Judën, po ashtu si kishte urdhëruar mbreti, shpallnin: “Bijtë e Izraelit! Kthehuni nga Zoti, Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Izraelit që edhe Ai të sillet kah Teprica që u shpëtoi duarve të mbretërve të Asirisë. 7 Mos u bëni si etërit tuaj e vëllezërit që u larguan nga Zoti, nga Hyji i etërve të vet, dhe i lanë të sharrojnë si po shihni ju vetë. 8 Tani mos u bëni më kokëfortë si etërit tuaj! Shtrijani dorën Zotit dhe ejani në Shenjtëroren e tij që e shenjtëroi për amshim. Shërbejini Zotit, Hyjit tuaj, që të largohet prej jush zemërimi i hidhërimit të tij! 9 Vërtet, nëse ju do të ktheheni kah Zoti, edhe vëllezërit dhe bijtë tuaj do të gjejnë mëshirë te zotërinjtë e tyre që i zunë robër, dhe do të kthehen në këtë vend: sepse i mëshirshëm dhe bujar është Zoti, Hyji juaj, dhe nuk do ta mënjanojë faqen e vet prej jush, nëse do të ktheheni tek ai”.

10 Kasnecët kaluan nga një qytet në tjetrin nëpër tokën e Efraimit e të Manaseut deri në Zabulon, por njerëzit i përqeshnin dhe i vinin në lojë. 11 Megjithatë, disa nga fisi i Aserit, i Manaseut dhe i Zabulonit u përulën e erdhën në Jerusalem. 12 Kurse në Judë u dëftua dora e Zotit dhe i bëri të gjithë një mendimi për ta zbatuar urdhrin e mbretit e të prijësve sipas fjalës së Zotit. 13 Kështu u bashkua në Jerusalem një mori e madhe populli për të kremtuar të Pabrumet në muajin e dytë; u bë një tubim shumë i madh! 14 Atëherë u ngritën dhe i rrënuan lterët që ishin në Jerusalem; i shpartalluan edhe të gjithë lterët e kemimit dhe i hodhën në përroin Kedron.

Pashkët dhe të Pabrumet

15 I flijuan Pashkët në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë; priftërinjtë e levitët të hutuar, u pastruan dhe arritën t’i çonin flitë e shkrumbimit në Shtëpinë e Zotit. 16 I zunë vendet e veta sipas rregullores dhe ligjit të Moisiut, njeriut të Hyjit. Priftërinjtë e spërkatnin gjakun që e merrnin prej duarve të levitëve. 17 Meqenëse shumë prej popullit nuk ishin pastruar, atëherë levitët i flijonin theroret e të gjithë atyre që nuk ishin të pastruar për t’ia kushtuar Zotit. 18 Një pjesë shumë e madhe e popullit prej Efraimit, Manaseut, Isaharit e Zabulonit nuk ishin të pastruar dhe kështu i bënë Pashkët jo si është rregulli. Atëherë për ta u lut Ezekia: “Zoti i mirë pastë dhimbje 19 për të gjithë ata që e drejtuan zemrën e vet për ta kërkuar Zotin, Hyjin e etërve të vet, edhe pse pa pastërtinë e duhur për Shenjtërore”. 20 Zoti ia dëgjoi lutjen dhe pati dhimbje për popullin.

21 Kështu bijtë e Izraelit, që ndodhën në Jerusalem, e kremtuan festën e të Pabrumeve për shtatë ditë me gëzim të madh, e lavdëruan Zotin e çdo ditë levitët e priftërinjtë i jepnin lavdi Zotit me vegla muzikore.

22 Ezekia u dha zemër levitëve që kishin dëftuar një kuptim të gjerë për gjërat e Zotit; gjatë shtatë ditëve morën pjesë në kushtimin e flive të pajtimit duke e lavdëruar Zotin, Hyjin e etërve të tyre.

23 Mbarë kuvendi i dheut vendosi të kremtojë edhe shtatë ditë të tjera, çka edhe e bënë me gëzim të jashtëzakonshëm. 24 E njëmend Ezekia, mbreti i Judës, i kishte dhuruar bashkësisë një mijë mëzetër e shtatë mijë bagëti të imëta, ndërsa prijësit i kishin dhënë popullit një mijë mëzetër e dhjetë mijë dele; atëherë u shenjtëruan shumë priftërinj. 25 Kështu u gëzilirua mbarë tubimi i judenjve, qoftë priftërinjtë e levitët qoftë edhe të gjithë ata që erdhën prej Izraelit si dhe ardhacakët që erdhën prej Izraelit ose banonin në Judë. 26 U bë një gëzim i madh në Jerusalem si nuk kishte qenë që prejditëve të Salomonit, të birit të Davidit, mbretit të Izraelit, aty në qytet.

27 Atëherë u ngritën priftërinj e levitë për ta bekuar popullin. Zëri i tyre qe dëgjuar, arriti lutja e tyre në Banesën e Tij të shenjtë, në qiell.

2 i Kronikave: 31. Reforma e kultit

31

1 Pasi u kryen këto kremtime krejtësisht, mbarë izraelitët që kishin qenë në qytetet e Judës, dolën e i thyen të gjithë gurngulët, i prenë të gjithë banirët, i rrënuan lartësirat e lterët dhe jo vetëm në mbarë Judën e Beniaminin, por edhe në Efraim e në Manasé deri sa i zhdukën të gjithë. Atëherë bijtë e Izraelit u kthyen në pronat e në qytetet e veta.

Ripërtëritja e priftërisë

2 Ezekia i përtëriti rendet priftërore e levitike, secilin sipas shërbimit; çdo prift e levit në shërbesën e vet: me flitë e shkrumbimit, të pajtimit për të shërbuer, për t’i dhënë lavdi Hyjit dhe për të kënduar himne në dyert e fushimeve të Zotit.

3 Mbreti e caktoi një pjesë të pasurisë së vet për flijimin e vazhdueshëm të flisë së shkrumbimit të mëngjesit e të mbrëmjes, të të shtunave e të hënës së re dhe për kremte tjera siç është e shkruar në Ligjin e Moisiut.

4 I urdhëroi gjithashtu popullit që banonte në Jerusalem, që priftërinjve dhe levitëve t’ua japin pjesët e caktuara që të mund të merren me Ligjin e Zotit. 5 Porsa u hap kjo fjalë në popull, bijtë e Izraelit i sollën me shumicë frytet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve që jep toka, si dhe me shumicë i sollën të dhjetat e të gjithave. 6 Gjithashtu edhe bijtë e Izraelit e të Judës, që banonin në qytetet e Judës, i sollën të dhjetat e gjedhit e të imëtave dhe të gjërave të kushtuara që ia kushtonin Zotit, Hyjit të vet. Duke i sjellë të gjitha këto, rriteshin grumbujt një mbi një.

7 Në muajin e tretë filluan t’i radhisnin në grumbuj dhe i përfunduan në muajin e shtatë. 8 Ezekia dhe prijësit erdhën për t’i parë grumbujt, e bekuan Zotin dhe Izraelin. 9 Ezekia i pyeti priftërinjtë dhe levitët, përse rrinë grumbujt ashtu. 10 Azaria, prifti i parë, prej barkut të Sadokut, iu përgjigj: “Që kur filluan të sjellin dhurata në Shtëpinë e Zotit, hëngrëm dhe u ngimë dhe teproi me shumicë, sepse Zoti e bekoi popullin e vet. Këta grumbuj që po i shikon, janë çka ka tepruar”.

11 Atëherë Ezekia dha urdhër që të ndërtohen qilarë në Shtëpinë e Zotit. Kur i ndërtuan, 12 i futën në ta ndihmesat, të dhjetat dhe kushtet. Mbikëqyrës mbi këtë gjë ishte leviti Konenia dhe vëllai i tij i dytë, Semeji. 13 Pas tij pastaj Jahieli, Azaria, Nahati, Asaeli, Jerimoti, Jozabadi, Elieli, Jesmakia, Mahati dhe Banaja ishin mbikëqyrës nën drejtimin e Konenisë e të vëllait të tij Semejit me urdhër të mbretit Ezeki e të Azarisë, priftit të Shtëpisë së Hyjit.

14 Koreu, biri i levitit Jemna, derëtar i derës lindore, kujdesohej për ato që vullnetarisht i kushtoheshin Zotit; ai nuzullonte me fli kushtimore dhe me gjëra më të shenjta. 15 Nën drejtimin e tij ishin Edeni e Beniamini, Jesua e Semeja, Amaria e Sekenia. Këta qëndronin vazhdimisht në qytetet priftërore që me ndërgjegje t’u ndanin vëllezërve të vet, sipas rendeve të tyre, si të madhit ashtu edhe të voglit, 16 mjaft që të ishin meshkuj të regjistruar prej tri vjetësh e lart; të gjithëve që hynin në Tempullin e Zotit për të kryer çdo ditë shërbesat sipas ndërresave të veta.

17 Numërimi i priftërinjve ishte bërë sipas vëllazërive të tyre, kurse levitëve prej vitit njëzet e lart, sipas shërbesave e ndërresave të tyre. 18 Ishte numëruar mbarë familja e çdo bashkësie qoftë gratë e fëmijët e tyre të të dy gjinive, sepse të gjithë u ishin kushtuar me çiltërsi gjërave të shenjta. 19 Kurse për bijtë e Aronit, për priftërinjtë që jetonin në kullota dhe në katundet përreth qyteteve, për secilin qytet ishin njerëzit e caktuar me emër të cilëve u duhej t’i jepnin pjesën e duhur mbarë gjinisë mashkullore të priftërinjve dhe secilit që ishte i numëruar si levit.

20 Ezekia veproi kështu në mbarë Judenë. Ai bëri atë që ishte e mirë, e drejtë dhe e vërtetë para syve të Zotit, Hyjit të vet. 21 Dhe në çdo ndërmarrje, lidhur me shërbimin e Shtëpisë së Hyjit, me Ligjin dhe me urdhërimet, veproi duke e kërkuar Hyjin me gjithë zemër, për çka pati sukses.

2 i Kronikave: 32. Pushtimi i Senakeribit

32

1 Pas këtyre ngjarjeve dhe pas dëshmisë së një besnikërie të tillë, erdhi Senakeribi, mbreti i asirëve, hyri në Judë dhe i rrethoi qytetet e fortifikuara për t’i pushtuar.

2 Kur Ezekia e pa se Senakeribi kishte ardhur dhe se gjithë fuqinë e rrëmbyeshme të luftës e kishte drejtuar kundër Jerusalemit, 3 u këshillua me parinë dhe me trimat e zgjedhur për t’i mbyllur grykat e burimeve që ishin jashtë qytetit. Pasi e pa mendimin e të gjithëve, 4 u bashkua një shumicë e madhe njerëzish dhe i mbyllën të gjitha burimet edhe përroin që rrjedh përmes vendit. Thonin: “Pse mbretërit e Asirisë ta gjejnë gjithë këtë ujë kur të vijnë”?! 5 Ndreqi gjithashtu, duke punuar me kujdes, çdo mur ku kishte qenë rrënuar, përmbi të punoi pirgje dhe përjashta ndërtoi edhe një mur. E rindërtoi Melon në Qytetin e Davidit dhe punoi shumë shigjeta e shqyte. 6 Emëroi prijës lufte përmbi popull, i thirri në sheshin e derës së qytetit dhe u mbajti një fjalim për t’u dhënë zemër. U tha: 7 “Jini trima e kini guxim! Mos u trembni as mos e druani mbretin e Asirisë as të tërë atë mori që është me të! Me ne janë shumë më tepër se me të: 8 me të është krahu i mishtë, kurse me ne është Zoti, Hyji ynë, i cili është ndihmësi ynë dhe ai lufton në vendin tonë”! Këto fjalë të Ezekisë, mbretit të Judë, i dhanë zemër e guxim popullit.

Fjalët e patenëzona të Senakeribit

9 Pas të gjitha këtyre, Senakeribi, mbreti i Asirisë, që e mbante të rrethuar Lakisin me të gjitha forcat e ushtrisë, dërgoi lajmëtarët e vet tek Ezekia, mbreti i Judës, dhe te mbarë populli që ishte në qytet, me këto fjalë: 10 “Kështu thotë Senakeribi, mbreti i asirëve: Në çka e keni mbështetur shpresën që po rrini të rrethuar në Jerusalem? 11 Vallë a nuk ju gënjen Ezekia për t’ju bërë të vdisni nga uria dhe etja, i cili ju siguron se Zoti, Hyji juaj, do t’ju shpëtojë nga dora e mbretit të Asirisë? 12 Pse a nuk është Ezekia ai që i mënjanoi lartësirat e tija dhe lterët dhe u urdhëroi judenjve e jerusalemasve: ‘Adhuroni para një lteri të vetëm dhe vetëm në të digjni flitë’. 13 Pse a nuk e dini se çfarë u kam bërë unë dhe etërit e mi të gjithë popujve të tokës? Vallë a qenë të zotët zotat e popujve të dheut ta shpëtojnë vendin e tyre nga dora ime? 14 Cili zot i këtyre popujve të dheut, të zhdukur nga dora e të parëve të mi, do të mund ta shpëtonte popullin e vet prej dorës sime, që të mundet edhe Hyji juaj t’ju nxjerrë ju nga thonjtë e mi? 15 Prandaj, mos t’ju gënjejë Ezekia, dhe të mos ju mashtrojë me shpresë të kotë, dhe mos i besoni! Sepse, në qoftë se asnjë zot i të gjithë popujve dhe i të gjitha mbretërive nuk mundi ta shpëtojë popullin e vet prej duarve të mia e të etërve të mi, aq më pak Hyji juaj do të mund t’ju shpëtojë nga dora ime”!

16 Folën shërbëtorët e tij edhe shumë fjalë të tjera kundër Zotit Hyj e kundër Ezekisë, shërbëtorit të tij. 17 Shkroi gjithashtu edhe letra plot hyjshmi kundër Zotit, Hyjit të Izraelit, dhe thoshte kundër tij: “Sikurse as hyjnitë e popujve të dheut nuk mundën t’i shpëtojnë popujt e vet prej dorës sime, kështu as Hyji i Ezekisë nuk do të mundet ta shpëtojë popullin e vet nga kjo dorë”.

18 Të dërguarit bërtitën me zë të lartë hebraisht dhe iu drejtuan popullit të Jerusalemit që po rrinte në mur, me qëllim që t’i trembnin e t’i mbrapshtonin për ta pushtuar qytetin. 19 Senakeribi foli kundër Hyjit të Jerusalemit si për hyjnitë e popujve paganë që s’janë tjetër përveçse vepër e dorës së njeriut.

Suksesi i lutjes së Ezekisë

20 Në këtë gjendje mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, biri i Amosit, u lutën kundër kësaj blasfemie dhe e thirrën në ndihmë Qiellin. 21 Atëherë Zoti dërgoi një engjëll i cili e vrau çdo trim të fortë luftëtar dhe secilin prijës në fushimin e mbretit të asirëve. Senakeribi u kthye i turpëruar në vendin e vet. Kur hyri në shtëpinë e zotit të vet, të bijtë, ata që kishin dalë prej ijës së tij, e vranë aty me shpatë. 22 Kështu Zoti e shpëtoi Ezekinë dhe banorët e Jerusalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të asirëve dhe nga dora e të gjithë armiqve, dhe u dhuroi paqe gjithkund përreth. 23 Atëherë shumë vetë sillnin dhurata në nder të Zotit në Jerusalem. I sillnin edhe Ezekisë, mbretit të Judës, gjëra të çmueshme, sepse pas këtyre ngjarjeve erdhi e u lartësua shumë në sy të të gjithë popujve.

24 Po në këtë kohë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit. Zoti e dëgjoi dhe bëri për të një mrekulli. 25 Por Ezekia nuk i shpërbleu bamirësitë që mori, sepse erdhi e iu rrit mendja dhe zemërimi rëndoi mbi të, mbi Judën dhe mbi Jerusalemin. 26 Ezekia më vonë u përvujtërua vërtet për shkak të mendjes së madhe, u pendua ai dhe banorët e Jerusalemit, dhe kjo qe arsyeja që, gjatë jetës së Ezekisë, nuk u zbraz hidhërimi i Zotit mbi ta.

27 Ezekia qe shumë i pasur dhe i nderuar; ndërtoi thesarë për argjend e për ar, për gurë të çmueshëm, për erëra të mira, për shqyte dhe për lloj‑lloj gjërash të çmueshme. 28 Punoi gjithashtu depo për drithëra, verë e vaj, stalla për çdo lloj bagëtie dhe vatha për grigjat. 29 Ndërtoi edhe qytete për vete. Kishte tufa të panumërta bagëtish të imëta e të trasha, sepse Zoti i kishte dhuruar pasuri të madhe pa masë.

Fundi i mbretërimit dhe vdekja

30 Ezekia e mbylli burimin e sipërm të ujërave të Gihonit dhe i kaloi ato teposhtes në anën e perëndimit të Qytetit të Davidit. Ezekisë të gjitha punët i shkonin mbarë. 31 Por kur erdhën të dërguarit e prijësve të Babilonit, tek ai për t’u njoftuar me mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Hyji hoqi dorë prej tij, kështu që ra në tundim dhe i zbuloi të gjitha që ishin në zemrën e tij.

32 Pjesa tjetër e historisë së Ezekisë, dhe veprat e dashurisë së tij janë të shkruara në vegimet e profetit Isai, birit të Amosit dhe në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit. 33 Ezekia pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në tatëpjetën kur shkohet në varrezat e bijve të Davidit. Mbarë Juda dhe Jerusalemi i kremtoi salikimet e tija. Në vend të tij u bë mbret i biri i tij Manaseu.

2 i Kronikave: 33. Manaseu e shkatërron veprën e Ezekisë

33

1 Manaseu kishte dymbëdhjetë vjet kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi pesëdhjetë e pesë vjet.

2 Ai bëri atë që është e keqe para Zotit, sipas poshtërsive të paganëve, të cilët Zoti i dëboi para bijve të Izraelit. 3 Ai i rindërtoi lartësirat e rrënuara prej të atit, Ezekisë, ndërtoi edhe lterë për Baalët, punoi banirë, nderoi dhe i adhuroi ushtritë qiellore. 4 Ai madje ndërtoi edhe lterë në Shtëpinë e Zotit, për të cilën kishte thënë Zoti: “Në Jerusalem do të banojë përgjithmonë Emri im”. 5 I ndërtoi lterët në nder të mbarë ushtrisë qiellore në dy tremet e Shtëpisë së Zotit. 6 Ai i kaloi fëmijët e vet nëpër zjarr në luginën e birit të Enomit. Ushtroi magjinë, shortinë, përdorte mjeshtritë magjike, mbante në oborr shpirtpyetës e rropullikëqyrës dhe bëri shumë të këqija të tjera para syve të Zotit, për ta ngacmuar atë. 7 E punoi dhe e vendosi një trupore idhulli në Shtëpinë e Hyjit, për të cilën Zoti i ka thënë Davidit e Salomonit, birit të tij: “Në këtë Shtëpi dhe në Jerusalem, të cilin e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, do ta vendos Emrin tim përgjithmonë. 8 Nuk do të bëj që Izraeli ta luajë këmbën prej tokës që ua kam dhuruar etërve të tyre, por me kusht që t’i ruajnë urdhërimet që ua kam dhënë, tërë Ligjin, urdhrat dhe rregulloret me anë të Moisiut”.

9 Kështu Manaseu e mashtroi Judën dhe banorët e Jerusalemit të bëjnë të këqija më tepër se të gjitha kombet, të cilët Zoti i kishte zhdukur para fytyrës së bijve të Izraelit.

10 Zoti i foli atij dhe popullit të tij, por ata nuk deshën ta dëgjojnë.

Burgimi dhe kthimi

11 Për këtë arsye Zoti kundër tyre i dërgoi prijësit e ushtrisë së mbretit të asirëve. Ata e zunë dhe e lidhën Manaseun në pranga dhe të lidhur me zinxhirë e çuan në Babilon. 12 Ky pasi ra ngusht, iu lut Zotit, Hyjit të vet, dhe u pendua plot përvujtëri para Hyjit të etërve të vet. u 13 U lut dhe Zoti pati dhimbje për të, ia dëgjoi lutjen dhe e ktheu në Jerusalem në mbretërinë e vet. Atëherë Manaseu e mori vesh se Zoti është Hyj i vërtetë.

14 Pas kësaj ai e ndërtoi murin e jashtëm të Qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, nga lugina deri te Dera e Peshqve dhe e rrethoi me mure edhe Ofelin. Murin e bëri shumë të lartë. Në çdo fortesë të qyteteve të Judës Manaseu e caktoi prijësin ushtarak. 15 I mënjanoi zotat e huaj dhe idhullin nga Shtëpia e Zotit, po ashtu edhe lterët që i kishte ndërtuar në Malin e Shtëpisë së Zotit e në Jerusalem dhe i humbi të gjithë jashtë qytetit. 16 Pastaj e rindërtoi lterin e Zotit dhe mbi të i flijoi flitë e pajtimit e të falenderimit dhe i urdhëroi Judesë t’i shërbejë Zotit, Hyjit të Izraelit. 17 Megjithatë populli edhe më tej vazhdoi të flijonte mbi lartësira, por tani vetëm Zotit, Hyjit të vet.

18 Pjesa tjetër e historisë së Manaseut, lutja e tij drejtuar Hyjit të vet, si dhe fjalët e vegimtarëve që flisnin me të në emër të Zotit, Hyjit të Izraelit, gjenden në Historinë e Mbretërve të Izraelit. 19 Lutja e tij si dhe vështrimi i uratës së tij, të gjitha mëkatet e tija si dhe përbuzja, vendet në të cilat ndërtoi lartësira, ku bëri banirë e trupore, para se të kthehej, janë të shkruara në Historinë e Hozait. 20 Edhe Manaseu fjeti me etërit e vet. E varrosën në oborrin e shtëpisë së tij. Në vend të tij u bë mbret i biri, Amoni.

Kokëfortësia e Amonit

21 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem dy vjet. 22 Bëri të keqen në praninë e Zotit, ashtu si kishte bërë edhe Manaseu, i ati, dhe u flijoi e u shërbeu të gjithë idhujve që i kishte punuar Manaseu. 23 Dhe nuk e përvujtëroi vetveten para Zotit, siç ishte përulur Manaseu, ati i tij, madje Amoni bëri edhe shumë të këqija më të mëdha. 24 Oborrtarët e tij u përbetuan kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e tij, 25 por populli i vendit, i vrau të gjithë ata që ishin përbetuar kundër mbretit Amon dhe, në vend të tij, e bënë mbret të birin, Josinë.

2 i Kronikave: 34. Shikim i përgjithshëm mbi mbretërinë

34

1 Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi në Jerusalem tridhjetë e një vjet. 2 Bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe i ndoqi udhët e Davidit, stërgjyshit të vet. Nuk u shmang as në të djathtë as në të majtë.

Reformat e para

3 Në vitin e tetë të mbretërimit të vet, kur ende ishte djalosh, nisi ta kërkonte Hyjin e stërgjyshit të vet Davidit. Në të dymbëdhjetin vit filloi ta pastronte Judën dhe Jerusalemin prej lartësirave, prej banirëve, prej idhujve të gdhendur e të derdhur. 4 Ndër sytë e tij i rrënuan lterët e Baalëve edhe lterët e kemimit që ishin të vënë përmbi ta. Banirët dhe idhujt e gdhendur e të derdhur i rrënoi e i copëtoi, dhe grimcat e tyre i shpërndau përmbi varret e atyre që u kishin kushtuar fli. 5 Eshtrat e priftërinjve i dogji mbi lterët e tyre. E pastroi Judën dhe Jerusalemin, 6 por edhe qytetet e Manaseut, të Efraimit e të Simonit deri në Neftali, kudo në sheshet e tyre 7 i rrënoi lterët e banirët, ndërsa idhujt e gdhendur i copëtoi në grimca. I rrënoi të gjithë lterët e kemimit në mbarë tokën e Izraelit dhe atëherë u kthye në Jerusalem.

Punimet në Tempull

8 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të vet, pasi e pastroi vendin dhe Tempullin, e ngarkoi birin e Eselisë, Safanin, prijësin e qytetit Maasinë, dhe birin e Joakazit, Johën, kancelar për ta rindërtuar Shtëpinë e Zotit, Hyjit të tij. 9 Këta shkuan te Helcia që ishte kryeprift, dhe, pasi i morën prej tij paratë që kishin qenë dhuruar në Shtëpinë e Zotit dhe që i kishin mbledhur levitët, derëtarët e faltores prej Manaseut dhe Efraimit dhe prej mbarë Tepricës së Izraelit si dhe prej mbarë Judës, Beniaminit e banorëve të Jerusalemit, 10 ua dhanë në dorë kryepunëtorëve që i mbikëqyrnin punimet në Shtëpinë e Zotit. Këta ua dhanë punëtorëve që punonin në Shtëpinë e Zotit për ta rindërtuar Tempullin, për ta përforcuar ku ishte ligështuar. 11 U dhanë d. t. th. marangozëve e mjeshtrave të gurit për të blerë gurë latimi dhe lëndë për trarë për ta forcuar godinën dhe shtëpitë që i kishin rrënuar mbretërit e Judës. 12 Këta njerëz e kryenin punën me ndërgjegje. Në krye të punëtorëve ishin: Jahati e Abdia, levitë prej bijve të Merariut, Zakaria e Mosolami, prej bijve të Kaatit. Këta i drejtonin punimet. Të gjithë levitët që ishin mjeshtër në vegla muzikore, 13 i mbikëqyrnin barrëmbartësit dhe i drejtonin të gjithë ata që bënin punë të ndryshme. Prej levitëve ishin shkruesit, mbikëqyrësit dhe derëtarët.

Zbulimi i Ligjit

14 Kur po i dorëzonin paratë që kishin qenë sjellë në Tempullin e Zotit, prifti Helci e gjeti Librin e Ligjit të Zotit dërguar me anë të Moisiut. 15 Helcia i tha shkruesit Safan: “E kam gjetur Librin e Ligjit në Shtëpinë e Zotit”. Dhe ia dha. 16 Ky e çoi vëllimin te mbreti dhe i lajmëroi: “Gjithçka ke urdhëruar të bëhet, shërbëtorët e tu po e zbatojnë. 17 Paratë që ishin në Shtëpinë e Zotit i zbrazën dhe ua dhanë kryepunëtorëve dhe punëtorëve”.

18 Pastaj shkruesi Safan e njoftoi mbretin e i tha: “Prifti Helci ma dha një libër”. Dhe Safani ia lexoi mbretit librin. 19 Kur mbreti i dëgjoi fjalët, i shqeu petkat e veta 20 dhe i urdhëroi Helcisë, Ahikamit, birit të Safanit, Abdonit, birit të Mikës, si dhe shkruesit Safan dhe shërbëtorit të mbretit Asajë: 21 ”Shkoni e këshillohuni me Zotin në vendin tim e të mbarë Tepricës të mbetur të Izraelit e të Judës lidhur me fjalët e librit që është gjetur. I madh duhet të jetë zemërimi i Zotit që është zbrazur mbi ne për shkak se etërit tanë nuk i kanë zbatuar fjalët pikërisht ashtu siç janë të shkruara në këtë vëllim”.

Përgjigjja e profeteshës

22 Helcia, bashkë me këta që kishin qenë dërguar prej mbretit, shkoi te profetesha Holdë, që ishte gruaja e Selum Tekue Haraasit, rojëtarit të petkave që banonte në Jerusalem në qytetin e ri. Ia thanë fjalët që i kishin 23 e ajo u përgjigj: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Thuajini njeriut që ju ka dërguar tek unë: 24 Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t’i çoj të gjitha të zezat mbi këtë vend e mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër, të cilin e lexuan para mbretit të Judës, 25 sepse më lanë mua e u flijuan zotave të huaj për të më ngacmuar mua me hidhërim me të gjitha veprat e duarve të veta: prandaj do të zbrazet zemërimi im mbi këtë vend e kurrë nuk do të shuhet. 26 Kurse mbretit të Judës, që ju dërgoi për të marrë këshillë prej Zotit, thuajini kështu: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Pasi i dëgjove fjalët e vëllimit 27 dhe pasi t’u përmallua zemra dhe u përvujtërove para Hyjit kur i dëgjove fjalët që janë thënë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të Jerusalemit, e, i përvujtëruar para meje, i shqeve petkat e tua e qave para meje, edhe unë gjithashtu të dëgjova ‑ është fjala e Zotit. 28 Ja, do të bashkoj me etërit e tu e në paqe do të vendosesh në varrin tënd; sytë e tu nuk do ta shohin të keqen që unë do ta çoj mbi këtë vend e mbi banorët e tij”.

Ata i treguan mbretit gjithçka kishte thënë ajo.

Përtëritja e besëlidhjes

29 Atëherë mbreti i bashkoi të gjithë krerët e Judës e të Jerusalemit, 30 shkoi në Shtëpinë e Zotit bashkë me të gjithë burrat e Judës e me banorët e Jerusalemit: priftërinj, levitë, mbarë populli, prej më të voglit e deri te më i madhi. Mbreti në Shtëpinë e Zotit i lexoi para tyre të gjitha fjalët e vëllimit të Besëlidhjes së gjetur në Shtëpinë e Zotit. 31 Mbreti, në këmbë në mëkëmbëzën e vet, bëri besëlidhje para Zotit se do të ecë pas tij, do t’i ruajë urdhërimet e tija, dëshmitë dhe rregulloret e tija me gjithë zemrën e vet e me gjithë shpirtin e vet dhe se do t’i zbatojë fjalët e besëlidhjes që janë të shkruara në këtë libër. 32 Kërkoi gjithashtu të betohen për këtë gjë të gjithë ata që u gjetën në Jerusalem e në Beniamin. Banorët e Jerusa‑ lemit vepruan siç kërkon besëlidhja e Zotit, Hyjit të etërve të tyre. 33 Prandaj Jozia i mënjanoi të gjitha fëlliqësitë nga të gjitha krahinat e bijve të Izraelit. Bëri që të gjithë ata që jetonin në Izrael t’i shërbejnë Zotit, Hyjit të vet. Gjatë tërë jetës së tyre nuk u larguan nga Zoti, Hyji i etërve të tyre.

2 i Kronikave: 35. Përgatitja për Pashkë

35

1 Atëherë Jozia i kremtoi Pashkët në nder të Zotit në Jerusalem. Pashkët i flijoi në të katërmbëdhjetën ditë të muajit të parë.

2 Jozia i rivendosi priftërinjtë në shërbesat e tyre dhe u dha zemër të shërbejnë në Shtëpinë e Zotit. 3 Levitëve, që e mësonin mbarë Izraelin dhe që ishin të shuguruar për Zotin, u tha: “Vendoseni Arkën e shenjtë në Tempullin, që e ndërtoi Salomoni, biri i Davidit, mbreti i Izraelit. Më nuk do ta mbartni në krah. Tani e tutje shërbeni Zotit, Hyjit tuaj, dhe popullit të tij, Izraelit! 4 Organizohuni sipas vëllazërive tuaja, sipas rendeve që i ka shkruar Davidi, mbreti i Izraelit, dhe i përshkroi Salomoni, biri i tij. 5 Shërbeni në Shenjtërore sipas rendeve të vëllazërive të vëllezërve tuaj, të bijve të popullit, sipas ndarjes së vëllazërive të levitëve. 6 Kështu, pra, therni qengjin e Pashkëve, shenjtërohuni dhe bëni gati vëllezërit tuaj, të plotësohet gjithçka sipas fjalës së Zotit që u trashëgua nëpër Moisiun”.

Kremtimi

7 Jozia i dhuroi popullit, që kishte ndodhur aty, për të kremtuar Pashkët tridhjetë mijë qengja e keca edhe tri mijë bagëti të trasha: të gjitha këto nga gjëja e mbretit. 8 Prijësit e tij vullnetarisht dhuruan për popull, për priftërinj e për levitë: Helcia, Zakaria e Jehieli, prijësit e Shtëpisë së Zotit, u dhuruan priftërinjve për të kremtuar Pashkët së bashku bagëti të imëta dy mijë e gjashtëqind dhe bagëti të trasha treqind krerë. 9 Konenia, Semeja e Natanaeli, vëllezërit e tij, Hasabia, Jahieli e Jozabali, prijësit e levitëve, u dhuruan levitëve të tjerë për të kremtuar Pashkët pesë mijë bagëti të imëta e pesëqind bagëti të trasha.

10 Kështu gjithçka u bë gati për shërbesë: priftërinjtë zunë vendet e veta, po ashtu edhe levitët, sipas ndërresave, sipas urdhrit të mbretit. 11 U flijuan Pashkët: priftërinjtë e derdhën gjakun me duart e veta e levitët i rropën bagëtitë e flive të shkrumbimit. 12 E ndanë veçmas flinë e shkrumbimit për t’ua dhënë bijve të popullit, për t’ia kushtuar Zotit siç shkruan në Librin e Moisiut. Ashtu bënë edhe bagëtitë e trasha. 13 Sipas zakonit e poqën Qengjin e Pashkëve në zjarr, kurse flitë e tjera të kushtimit i zien në kusi, në vegsha, në tigan dhe ia ndanë me kujdes mbarë popullit. 14 Për vete e për priftërinj bënë gati më vonë, sepse, duke i kushtuar flitë e shkrumbimit dhe të dhjamit, priftërinjtë qenë të zënë deri në mbrëmje e për këtë arsye levitët përgatitën për vete e për priftërinjtë, bijtë e Aronit, më në fund. 15 Ndërkaq këngëtarët, bijtë e Asafit, qëndronin në vendet e veta, sipas urdhrit të Davidit, të Asafit, të Hemanit e të Iditunit, profetëve të mbretit. Derëtarët qëndronin në çdo derë. Ata nuk e lëshuan shërbimin, sepse levitët, vëllezërit e tyre e përgatitnin ushqimin për ta.

16 Kështu, pra, atë ditë qe përgatitur gjithçka si lypet për shërbesën e Zotit për t’i kremtuar Pashkët dhe për të kushtuar flitë e shkrumbimit mbi lterin e Zotit si kishte urdhëruar mbreti Jozi. 17 Bijtë e Izraelit që kishin ndodhur aty i kremtuan Pashkët dhe të Pabrumet aso kohe për gjashtë ditë. 18 Nuk qenë kremtuar Pashkë të tjera si këto në Izrael që në kohën e profetit Samuel dhe madje asnjë prej të gjithë mbretërve të Izraelit nuk i kremtoi Pashkët si Jozia me priftërinj, levitë, me mbarë Judën dhe Izraelin që kishte ndodhur aty e me banorët e Jerusalemit. 19 Këto Pashkë u kremtuan në të tetëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Jozisë.

Fundi tragjik i mbretërisë

20 Pasi Jozia e ripërtëriu Tempullin, erdhi Nekao, mbreti i Egjiptit, për të luftuar në Karkamis, përbri Eufratit. Jozia i doli përballë. 21 Nekaoja i dërgoi lajmëtarë e i tha: “S’kam punë me ty, o mbreti i Judës! Nuk po vij sot kundër teje, por kam luftë me një shtëpi tjetër, kundër të cilës më ka urdhëruar Hyji të shkoj me nxitim”. 22 Jozia nuk deshi të kthehet, por me guxim u bë gati për luftë kundër tij, e nuk i dëgjoi fjalët e Hyjit prej gojës së Nekaos. Shkoi të luftojë kundër tij në fushën e Magedos. 23 Shigjetarët e plagosën aty. Jozia atëherë u tha djelmoshave të vet: “Më nxirrni nga luftimi, sepse jam plagosur rëndë”. 24 Ata e kaluan prej karroce në një karrocë tjetër dhe e çuan në Jerusalem. Vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të vet: mbarë Juda e Jerusalemi i bënë gjëmë. 25 Edhe Jeremia vojtoi për Jozinë. Të gjithë vajtorët e vajtoret deri në ditën e sotme në vajtimet e tyre ende përkujtojnë Jozinë. Ky u bë zakon në Izrael dhe gjendet i shënuar ndër Vajtime.

26 Veprat tjera të Jozisë, dëshmitë e dashurisë së tij që janë të urdhëruara me Ligjin e Zotit, 27 si dhe veprat e tija, prej fillimit e deri në fund, janë të shkruara në Librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës.

2 i Kronikave: 36. Joakazi

36

1 Atëherë populli i vendit, e mori Joakazin, birin e Jozisë dhe e shpalli mbret në Jerusalem në vend të babait. 2 Joakazi kishte njëzet e tri vjet kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem tre muaj. 3 E shkarkoi nga pushteti mbreti i Egjiptit kur erdhi në Jerusalem dhe vendin e dënoi të paguante njëqind talenta argjend e një talent ar. 4 Në vend të tij e vuri të vëllanë e tij, Eliakimin, për mbret mbi Judën dhe Jerusalemin dhe ia ndërroi emrin Joakim, kurse Joakazin e mori me vete dhe e humbi në Egjipt.

Joakimi

5 Joakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem njëmbëdhjetë vjet. Bëri të këqija para Zotit, Hyjit të vet. 6 Kundër tij erdhi Nabukodonozori, mbreti i kaldenjve dhe, të lidhur me zinxhirë, e humbi në Babilon. 7 Nabukodonozori mori edhe një pjesë të enëve të Zotit dhe i çoi e i vendosi në tempullin e vet.

8 Veprat e tjera të Joakimit, fëlliqësitë që i bëri dhe fajet e tjera të tija, gjenden në Librin e Mbretërve të Izraelit e të Judës. Në vend të tij u bë mbret i biri, Joakini.

Joakini

9 Joakini ishte tetëmbëdhjetëvjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi tre muaj e dhjetë ditë. Bëri të keqen para Zotit. 10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nabukodonozori, dërgoi njerëzit, të cilët e sollën në Babilon duke i marrë bashkë me të enët më të çmueshme të Shtëpisë së Zotit. Vuri Sedecinë, të vëllanë e tij, për mbret mbi Judën e Jerusalemin.

Sedecia

11 Sedecia kur u bë mbret ishte njëzet e një vjeç dhe në Jerusalem mbretëroi njëmbëdhjetë vjet. 12 Bëri të keqen ndër sytë e Zotit, Hyjit të vet, as s’dëgjoi të përulet para profetit Jeremi, që i fliste në emër të Zotit. 13 Gjithashtu bëri kryengritje kundër Nabukodonozorit, që e kishte bërë t’i premtonte besnikëri me përbetim në Hyjin. Ai mbeti kokëfortë e zemërgur, dhe nuk u kthye kah Zoti, Hyji i Izraelit.

Kombi

14 Gjithashtu edhe të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem.

15 E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre, ua dërgonte me kujdes e ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet. 16 Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i merrnin për asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët derisa mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim.

Rrënimi

17 Atëherë e dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve dhe i vrau të rinjtë e tyre me shpatë në Shenjtëroren e tij. Nuk pati më mëshirë as për të rinj, as për vajza, as për pleq, as për të mbetur, por i lëshoi të gjithë në duart e tija. 18 Të gjitha enët e Shtëpisë së Hyjit, të mëdha e të vogla, visaret e Tempullit, të pallatit mbretëror e të prijësve i mbarti në Babilon. 19 Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë.

20 Mbreti i humbi në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij derisa u vendos mbretëria persiane, 21 për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Derisa toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet”.

Drejt së ardhmes

22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli ‑ madje edhe me shkrim ‑ në mbarë mbretërinë e vet: 23 ”Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judé. Me cilindo prej jush që i përket popullit të tij, Zoti, Hyji i tij, qoftë me të; secili le të shkojë atje”.