Gjoni: 1. Mishërimi i Fjalës

1

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

Dëshmia e Gjon Pagëzuesit

(Mt 3, 1‑12; Mk 1, 2‑8; Lk 3, 15‑17)

19 Dhe, ja, dëshmia e Gjonit!

Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” 20 ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi:

“Unë nuk jam Mesia!”

21 “Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?”

“Nuk jam! ‑ u përgjigj.”

“A je Profeti?”

“Jo!” ‑ ua ktheu.

22 Atëherë i thanë:

“Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

23 Ai tha:

“Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

‘rrafshoni udhën e Zotit!’

siç tha Isaia profet.”

24 Disa prej të dërguarve ishin farisenj. 25 Ata e pyetën:

“Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni u përgjigj:

“Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. 27 Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

28 Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

Qengji i Hyjit

29 Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha:

“Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!

30 Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Pas meje vjen një njeri,

i cili është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’

31 Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Gjoni dëshmoi edhe:

“E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ 34 Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

Nxënësit e parë

35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, 36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha:

“Ja, Qengji i Hyjit!”

37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën pas Jezusit. 38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti:

“Çka kërkoni?”

Ata iu përgjigjën:

“Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?”

39 “Ejani e shihni!” ‑ iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë.

40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nisën pas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. 41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha:

“E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!”

42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha:

“Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër‑Shkëmb].

Të grishurit e Filipit e të Natanaelit

43 Të nesërmen Jezusi vendosi të shkojë në Galile. Takoi Filipin dhe i tha:

“Eja pas meje!”

44 Filipi ishte nga Betsaida, prej qytetit të Andreut e të Pjetrit.

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha:

“E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.

“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

Gjoni: 2. Dasma në Kanë

2

1 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha:

“Nuk kanë më verë!”

4 [E] Jezusi i tha:

“Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”

5 Nëna e tij u tha shërbyesve:

“Bëni gjithçka t’ju thotë!”

6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. 7 Jezusi u tha shërbyesve:

“Mbushni enët me ujë!”

Ata i mbushën deri në grykë.

8 “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës.”

Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha:

“Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”

11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.

12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

Pastrimi i Tempullit

(Mt 21, 12‑13; Mk 11, 15‑17;Lk 19, 45‑46)

13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. 15 Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16 Shitësve të pëllumbave u tha:

“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”

17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:

“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:

“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”

19 Jezusi iu përgjigj:

“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”

20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli ‑ iu përgjigjën judenjtë ‑ e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”

21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.

Jezusi njeh çdo njeri

23 Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në Emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. 24 Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. 25 Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.

Gjoni: 3. Jezusi e Nikodemi

3

1 Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha:

“Rabbi, e dimë se ti je Mësuesi që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.”

3 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po të them:

kush nuk lind përsëri prej së larti,

nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.”

4 “Si është e mundur ‑ i tha Nikodemi ‑ të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?”

5 Jezusi u përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po të them:

kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit

nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.

6 Çka lind prej mishit, mish është,

e çka lind prej Shpirtit, shpirt është.

7 Mos u çudit që të thashë:

‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’

8 Era fryn në drejtimin që do;

ia dëgjon ushtimën

e nuk di nga vjen e kah shkon.

Kështu ndodh edhe me secilin

që lind prej Shpirtit.”

9 Nikodemi e pyeti:

“Si mund të bëhet kjo gjë?”

10 Jezusi iu përgjigj:

“Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq?

11 Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them:

ne flasim çka dimë

e dëshmojmë çka pamë,

e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.

12 Nëse nuk më besoni

kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë

si do të më besoni

në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit?

13 Askush nuk u ngjit në qiell,

përveç Birit të njeriut

që zbriti nga qielli.

14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi

gjarprin në shkretëtirë,

po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,

15 që kushdo të besojë në të

ta ketë jetën e pasosur.

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

18 Kush beson në të,

nuk dënohet,

ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,

pse nuk besoi

në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

19 E gjykimi është ky:

Drita erdhi në botë,

por njerëzit më tepër deshën

errësirën se dritën,

sepse veprat i kishin të këqija.

20 Vërtet, kushdo që bën të keqen,

e urren dritën dhe nuk del në dritë

që të mos i zbulohen veprat e tij,

21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,

ai del në dritë

që të dalë ballafaqe

se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

Jezusi dhe Gjon Pagëzuesi

22 Pastaj Jezusi shkoi me nxënësit e vet në tokën e Judesë. Aty u vendos me ta dhe pagëzonte. 23 Edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte mjaft ujë. Njerëzit shkonin dhe pagëzoheshin. 24 Gjoni ende nuk ishte burgosur.

25 Tashti ndodhi një rragatje lidhur me pastrimin ligjor ndërmjet nxënësve të Gjonit e një çifuti. 26 Shkuan te Gjoni dhe i thanë:

“Rabbi, ai që ishte me ty matanë Jordanit ‑ ai për të cilin ti bëre dëshmi ‑ edhe ai po pagëzon, dhe të gjithë po shkojnë tek ai.”

27 Gjoni u përgjigj:

“Askush s’mund të marrë për vete asgjë

nëse nuk iu dha prej qiellit!

28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë:

‘Unë nuk jam Mesia, por jam: i Dërguari para tij.’

29 Kush ka nusen, është dhëndër.

Dashamiri i dhëndrit,

i cili i rri pranë dhe e dëgjon,

kënaqet kur e dëgjon zërin e dhëndrit.

I tillë është, pra, gëzimi im: arriti në kulm!

30 Ai duhet të rritet

e unë të zvogëlohem.”

Ai që vjen prej së Larti

31 “Kush vjen prej së Larti,

ai është mbi të gjithë!

Kush është nga toka,

tokësor është dhe flet për gjërat e tokës.

Ai që vjen prej qiellit

[ai është mbi të gjithë]:

32 dëshmon çka pa e çka dëgjoi,

por dëshminë e tij askush s’e pranon.

33 Kush e pranon dëshminë e tij,

pohon se Hyji është i vërtetë.

34 Vërtet, i dërguari i Hyjit

flet fjalët e Hyjit

‑ sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.

35 Ati e do Birin

dhe atij i la në dorë gjithçka.

36 Kush beson në Birin

ka jetën e pasosur,

përkundrazi, ai që nuk beson në Birin

nuk do ta shohë jetën:

hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.”

Gjoni: 4. Jezusi dhe samaritania

4

1 Kur Jezusi mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar të flitet se ai po tubonte më shumë nxënës dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni 2 ‑ edhe pse, në të vërtetë Jezusi nuk pagëzonte, por nxënësit e tij ‑ 3 e la Judenë dhe u kthye përsëri në Galile.

4 I duhej të kalonte nëpër Samari. 5 Arriti, pra, në qytetin e Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, birit të vet. 6 Aty ishte pusi i Jakobit.

Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte diku rreth orës gjashtë. 7 Një grua nga Samaria erdhi të mbushë ujë. Jezusi i tha:

“Më jep të pi!”

8 Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime.

9 Samaritania i tha:

“Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?”

[Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].

10 Jezusi iu përgjigj:

“Po ta dije ti çka të dhuron Hyji

dhe kush është ai që të thotë:

‘Më jep të pi!’,

ti vetë do të lypje nga ai

dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!”

11 “Zotëri ‑ iu përgjigj gruaja ‑ ti s’ke as me çka të mbushësh ujë e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë? 12 A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tij.”

13 Jezusi iu përgjigj:

“Kushdo që pi këtë ujë

përsëri do të ketë etje.

14 Kurse, kush do të pijë

ujin që unë do t’ia jap,

kurrë më nuk do të ketë etje,

madje uji që unë do t’ia jap

do të bëhet në të burim

që rrjedh në jetën e pasosur.”

15 Po i thotë gruaja:

“Zotëri, më jep ashtu uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të mbush!”

16 Ai i tha:

“Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!”

17 “Unë nuk kam burrë!” ‑ iu përgjigj ajo.

“Mirë the! ‑ ia ktheu Jezusi ‑ ‘S’kam burrë!’

18 Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!”

19 “Zotëri ‑ vijoi gruaja ‑ po shoh se je profet.

20 Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”

21 Jezusi i tha:

“Më beso mua, o grua, po vjen koha,

kur nuk do ta adhuroni Atin

as në këtë mal as në Jerusalem.

22 Ju adhuroni atë që s’e njihni,

ne adhurojmë atë që e njohim,

sepse shëlbimi vjen prej judenjve.

23 Por po vjen koha ‑ e tani është!‑ kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin

në shpirt e në të vërtetë,

sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë.

24 Hyji është shpirt,

dhe ata që e adhurojnë

duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”

25 Gruaja i tha:

“E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka”

26 Jezusi i tha:

“Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!”

27 Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?”

28 Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: 29 “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?”

30 Ata dolën prej qytetit dhe u nisën për tek ai.

31 Ndërkaq nxënësit po e lutnin:

“Rabbi, ha!”

32 Ai u tha:

“Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.”

33 Nxënësit pyetën njëri‑tjetrin:

“A mos i solli ndokush ushqim?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“Ushqimi im është

të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi,

të kryej veprën e tij.

35 A nuk thoni ju:

‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’

Ja, unë po ju them:

Çoni sytë tuaj dhe shikoni:

arat u zbardhuan për korrje!

Tanimë 36 korrtari po e merr pagën

dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur,

që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku!

37 Në këtë gjë vërtetohet fjala:

‘Njëri mbjell e një tjetër korr’!

38 Unë ju dërgova të korrni atje

ku ju s’derdhët djersë:

të tjerët u munduan

e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”

39 Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” 40 Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenji mes tyre dy ditë. 41 Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. 42 Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”

Shërimi i djalit të nëpunësit mbretëror

(Mt 8, 5‑13; Lk 7, 1‑10)

43 Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile. 44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.

46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum. 47 Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes. 48 Jezusi i tha:

“Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.”

49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj:

“Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.”

50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!”

Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. 51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë:

“Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!”

53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.

54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.

Gjoni: 5. Shërimi i të paralizuarit

5

1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. [4]

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha:

“A dëshiron të shërohesh?”

7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.”

8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!”

9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.

Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit:

“Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!”

11 Ai iu përgjigj:

“Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“

12 Ata e pyetën:

“Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“

13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha:

“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”

15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.

17 Jezusi u përgjigj:

“Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj.”

18 Për këtë arsye judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vritnin Jezusin, pse, jo vetëm se e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë të vetin, duke e barazuar veten me Hyjin.

Pushteti i Birit

19 Atëherë Jezusi u tha:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes,

përveç çka sheh se bën Ati;

çka bën ai,

po atë gjë bën edhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin

dhe i zbulon gjithçka bën ai.

Do t’i zbulojë edhe vepra më të mëdha se këto

që të mbeteni të habitur.

21 Dhe, sikurse Ati i ngjall të vdekurit

e i bën të jetojnë,

ashtu edhe Biri

i bën të jetojnë ata që do.

22 Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd,

pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit,

23 që të gjithë të nderojnë Birin

siç e nderojnë Atin.

Kush nuk e nderon Birin,

nuk e nderon as Atin që e dërgoi.

24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush e dëgjon fjalën time

dhe beson në atë që më dërgoi,

ka jetën e pasosur

dhe ai nuk del në gjyq,

por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.

25 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

po vjen koha ‑ tani është ‑

kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit

të Hyjit

dhe ata që ta dëgjojnë, do të jetojnë.

26 Dhe, sikurse Ati e ka jetën në vetvete,

po ashtu i dha zotësinë edhe Birit ta ketë jetën

në vetvete.

27 Atij ia dha edhe pushtetin të gjykojë,

sepse është Biri i njeriut.

28 E mos u çuditni:

po vjen koha,

kur të gjithë ata që pushojnë në varre

do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin:

ata që bënë mirë

‑ do të ngjallen për të jetuar,

ata që bënë keq,

‑ do të ngjallen për t’u dënuar.”

Dëshmitë e Jezusit

30 “Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes;

si dëgjoj, ashtu gjykoj,

dhe gjykimi im është i drejtë,

sepse nuk kërkoj vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.

31 Nëse unë vetë i bëj dëshmi vetvetes,

dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Është Një tjetër që bën dëshmi për mua

dhe unë e di:

dëshmia të cilën ai e bën për mua,

është e vërtetë.

33 Ju dërguat disa njerëz te Gjoni

dhe Gjoni e dëshmoi të vërtetën.

34 Unë nuk kam nevojë për dëshmi të njeriut,

por ua përmend këtë që ju të shëlboheni.

35 Gjoni ishte dritëz që digjej e ndriçonte,

por juve ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.

36 Por unë e kam një dëshmi

më të madhe se atë të Gjonit:

veprat që Ati m’i besoi për t’i kryer;

pikërisht këto që unë kryej,

dëshmojnë për mua

se më dërgoi Ati.

37 Edhe Ai që më dërgoi ‑ Ati,

vetë Ai dëshmoi për mua!

Ju kurrë s’e dëgjuat zërin e tij,

kurrë s’e patë fytyrën e tij;

38 as fjala e tij nuk banon në ju,

sepse nuk i besoni atij,

që ai e dërgoi.

39 Ju i shqyrtoni Shkrimet

sepse mendoni me anë të tyre të keni jetën e pasosur;

edhe ato, pra, dëshmojnë për mua,

40 e ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë,

që ta keni jetën.

41 Nuk kërkoj lavdi prej njerëzve,

42 po ju njoha deri në palcë:

nuk e keni në vetvete dashurinë e Hyjit.

43 Unë erdha në Emër të Atit tim

e ju nuk më pranoni;

po erdhi ndonjë tjetër në emër të vet,

atë do ta pranoni!

44 Po si mund të besoni ju,

ju që kërkoni lavdi prej njëri‑tjetrit,

e nuk e kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?

45 Mos t’ju shkojë në mend se do t’ju padis tek Ati!

Paditësi juaj është Moisiu,

në të cilin shpresoni.

46 Për të vërtetë, po t’i besonit Moisiut,

do të më besonit edhe mua,

sepse ai për mua shkroi.

47 Por, nëse nuk u besoni Shkrimeve të tij,

si do t’u besoni fjalëve të mia?”

Gjoni: 6. Jezusi ushqen pesë mijë vetë

6

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:

“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10 Jezusi u tha:

“Thuajuni njerëzve të ulen.”

Në atë vend kishte shumë bar.

U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

Jezusi ecën përmbi ujë

(Mt 14, 22‑27; Mk 6, 45‑52)

16 Kur u bë natë, nxënësit e tij zbritën në det, 17 hynë në lundër e u nisën për në anën tjetër të detit, për në Kafarnaum. Ishte errur e Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. 18 Deti u trazua nga era e fortë që fryente. 19 Pasi rremuan reth njëzet e pesë apo tridhjetë stadje, panë Jezusin duke ecur përmbi det e po i afrohej lundrës. I kapi frika. 20 Ai u tha: “Unë jam! Mos druani!” 21 Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar.

Jezusi buka e jetës

22 Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm. 23 Ndërkaq, prej Tiberiadit erdhën disa lundra afër vendit ku hëngrën bukë (pasi Zotëria falënderoi). 24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë:

“Rabbi, kur erdhe këtu?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,

por pse hëngrët nga ato bukë

dhe u ngitë.

27 Veproni,

por jo për ushqim që prishet,

por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme:

atë do t’jua japë Biri i njeriut,

sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.

28 Atëherë ata i thanë:

“Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Vepra që Hyji kërkon është kjo:

besoni në Atë

që Ai e dërgoi.”

30 “Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’

32 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit,

por Ati im jua jep bukën prej qiellit,

atë të vërtetën:

33 sepse buka e Hyjit është Ajo,

që zbret prej qiellit

dhe që i jep botës jetën.”

34 Atëherë i thanë:

“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”

35 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam buka e jetës.

Kush vjen tek unë

nuk do të ketë më kurrë uri,

kush beson në mua,

nuk do të ketë më etje.

36 Por ju thashë:

më patë e prapë s’më besoni.

37 Të gjithë ata që m’i jep Ati

do të vijnë tek unë

dhe atë që vjen tek unë,

s’do ta qes jashtë,

38 sepse zbrita prej qiellit,

jo për të bërë vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.

39 E vullneti i Atij që më dërgoi është

të mos humbë asnjë

prej atyre që më dha,

por t’i ringjall në ditën e fundit.

40 Po, ky është vullneti i Atit tim,

që, kushdo sheh Birin

dhe beson në Të,

ta ketë jetën e pasosur

e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

41 Judenjtë murmurisnin kundër tij pse tha: “Unë jam buka që zbriti prej qiellit.” 42 Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babain e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit?’“

43 Jezusi iu përgjigj:

“Mos murmurisni me njëri-tjetrin!

44 Askush s’mund të vijë tek unë,

po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq.

Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.

45 Profetët shkruan:

‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’

Kushdo, pra e dëgjon Atin

dhe e përvetëson mësimin e tij,

vjen tek unë.

46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin,

përveç Atij që është te Hyji;

vetëm Ai e pa Atin!

47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

ai që beson, ka jetën e pasosur.

48 Unë jam buka e jetës.

49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.

50 Kjo është buka që zbret nga qielli:

që, kush ta hajë atë,

të mos vdesë askurrë.

51 Unë jam buka e gjallë

që zbriti prej qiellit:

nëse ndokush ha këtë bukë,

do të jetojë për amshim.

E buka që unë do ta jap

është trupi im

‑ për jetën e botës.”

52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin:

“Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”

53 Prandaj Jezusi u tha:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut

e nuk e pini gjakun e tij,

nuk keni jetë në vetvete!

54 Kush ushqehet me trupin tim

dhe pi gjakun tim

ka jetën e pasosur.

Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit.

55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë

e gjaku im është pije e vërtetë.

56 Kush ushqehet me trupin tim

dhe pi gjakun tim

ai mbetet në mua

dhe unë në të.

57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë

dhe unë jetoj për Atin,

po ashtu edhe ai që më ha mua

do të jetojë për mua.

58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit,

jo porsi ajo që hëngrën etërit

e vdiqën:

kush ushqehet me këtë bukë

do të jetojë në amshim.”

59 Këtë mësim Jezusi e dha në sinagogën e

Kafarnaumit.

Fjalët e jetës së pasosur

60 Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë:

“I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”

61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha:

“A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë... ?

63 Shpirti është ai që jep jetën,

trupi nuk vlen asgjë.

Fjalët që unë ju thashë,

janë shpirt dhe janë jetë.

64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë”

Sepse Jezusi e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte.

65 Dhe shtoi:

“Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”

66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.

67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët:

“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”

68 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”

70 Jezusi u përgjigj:

“Po a nuk ju zgjodha unë ju të Dymbëdhjetëve? E pra, njëri prej jush është djall!”

71 Foli për Judën, birin e Simon Iskariotit, njërin prej të Dymbëdhjetëve, sepse ky do ta tradhtonte.

Gjoni: 7. Mosbesimi i vëllazërisë së Jezusit

7

1 Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë.

Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. 2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave. 3 Prandaj i thanë vëllezërit e tij:

“Kalo prej këndej e shko në Jude, që edhe nxënësit e tu t’i shohin veprat që bën; 4 sepse askush, që dëshiron ta pranojnë botërisht, nuk vepron në fshehtësi. Nëse, pra, bën vepra të tilla, dëftohu botës!”

5 Në të vërtetë, as vëllezërit e tij nuk besonin në të. 6 Jezusi iu përgjigj:

“Koha ime s’ka ardhur ende. Për ju është gjithmonë kohë e volitshme. 7 Bota ju nuk mund t’ju urrejë, kurse mua më urren, sepse unë dëshmoj për të se i ka veprat e këqija. 8 Ju shkoni në festë, unë një herë nuk po shkoj në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.”

9 Si u tha kështu, u ndal në Galile.

Festa e Tëbanave

10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi. 11 Judenjtë e kërkonin gjatë festës dhe pyetnin: “Ku është ai?” 12 Po edhe në popull u fol e u pëshpërit (shumë) për të. Disa thoshin:

“Është i mirë!”

Disa të tjerë:

“Jo, por po gënjen !”

13 Por askush s’guxonte të fliste për të botërisht prej frikës së judenjve.

14 Në gjysmën e festës Jezusi u ngjit në Tempull dhe po mësonte. 15 Judenjtë u çuditën dhe pyetnin: “Si i di ky Shkrimet pa i pasë mësuar?”

16 Jezusi iu përgjigj:

“Mësimi im nuk është imi,

por i Atij që më dërgoi.

17 Kush do të kryejë vullnetin e Tij

do ta njohë a është ky mësimi i Hyjit,

apo unë flas prej vetvetes.

18 Ai që flet prej vetvetes,

kërkon lavdinë e vet;

ndërsa ai që kërkon lavdinë e Atij që e dërgoi,

ai është i vërtetë,

e në të s’ka padrejtësi.

19 Vallë, a nuk jua dha Moisiu Ligjin?

E askush prej jush nuk e mban Ligjin!

Përse më kërkoni të më vritni?”

20 Populli iu përgjigj:

“Të ka hyrë djalli në trup ‑ kush kërkon të të vrasë?!”

21 Jezusi iu përgjigj:

“Një vepër bëra e të gjithë çuditeni. 22 Juve Moisiu ju dha rrethprerjen ‑ e pra ajo nuk është prej Moisiut ‑ por prej etërve, e ju e rrethpritni njeriun të shtunën. 23 Nëse njeriu mund të marrë rrethprerjen të shtunën ‑ e nuk prishet Ligji i Moisiut, përse hidhëroheni me mua që e shërova krejt njeriun ditën e shtunë? 24 Mos gjykoni më sipas dukjes së jashtme, por mësoni të gjykoni siç e kërkon e drejta!”

Kush është Krishti?

25 Atëherë disa jerusalemas thanë:

“Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.”

28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë:

“Po, ju më njihni

dhe e dini se nga jam!

E pra, unë nuk erdha prej vetvetes:

por është Një i Vërtetë që më dërgoi,

të cilin ju s’e njihni.

29 Unë e njoh Atë,

sepse jam prej tij

dhe Ai më dërgoi.”

30 Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij. 31 Shumë prej popullit besuan në të dhe thoshin:

“Vallë, a thua, kur të vijë Mesia, do të bëjë ai më shumë mrekulli, se bëri ky?”

Krerët dërgojnë rojtarët për ta kapur Jezusin

32 Farisenjtë dëgjuan se këto fjalë po pëshpëriteshin në popull për të e prandaj kryepriftërinjtë e farisenjtë dërguan rojtarët për ta kapur. 33 Atëherë Jezusi tha:

“Edhe pak kohë jam me ju

dhe do të shkoj tek Ai që më dërgoi.

34 Do të më kërkoni,

por nuk do të më gjeni

dhe ku jam unë,

ju s’mund të vini.”

35 Atëherë judenjtë i thanë njëri‑tjetrit:

“Ku mendon ky të shkojë që ne nuk do ta gjejmë? A mos mendon të shkojë ndër të shpërndarë mes grekëve dhe t’i mësojë grekët? 36 Çka do të thotë fjala që tha:

‘Do të më kërkoni

e nuk do të (më) gjeni

dhe ku jam unë,

ju s’do të mund të vini?’“

Lumenj uji të gjallë

37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u ngrit dhe tha me zë të lartë:

“Kush ka etje le të vijë tek unë!

Le të pijë 38 kush beson në mua!

Siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej barkut të tij!’“

39 Këtë e tha për Shpirtin, që kishin për ta marrë ata, që besojnë në të. Asohere, në të vërtetë, Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk kishte hyrë në lavdi.

Përçarje në popull

40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin:

“Ky është me të vërtetë Profeti!”

41 Të tjerë thoshin:

“Ky është Mesia!”

Prapë disa të tjerë thoshin:

“Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? 42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?”

43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.

44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të.

Autoritetet nuk besojnë në të

45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë:

“Pse nuk e sollët?”

46 Rojtarët u përgjigjën:

“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”

47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën:

“Po a mos u mashtruat edhe ju? 48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!”

50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi:

51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?”

52 Ata iu përgjigjën:

“A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!”

53 Dhe se cili shkoi në shtëpinë e vet.

Gjoni: 8. Jezusi dhe gruaja e zënë në kurorëthyerje

8

1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. 2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. 3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes 4 dhe i thanë:

“Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. 5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”

6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. 7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha:

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. 9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes. 10 Jezusi iu drejtua dhe i tha:

“Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?”

11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo.

“As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”

Jezusi drita e botës

12 Atëherë Jezusi u tha përsëri:

“Unë jam drita e botës.

Kush vjen pas meje,

nuk do të ecë në errësirë,

por do ta ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë:

“Ti vetë po bën dëshmi për vetveten: dëshmia jote

s’mund të jetë e vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj:

“Po qe se unë bëj dëshmi edhe për vetveten,

prapë se prapë dëshmia ime është e vërtetë,

sepse e di se prej nga erdha e kah shkoj.

Ndërsa ju nuk dini

as prej nga vij as kah shkoj.

15 Ju gjykoni siç dukem përjashta,

unë nuk gjykoj askënd.

16 Por edhe në gjykoj,

gjyqi im është i vërtetë,

sepse unë nuk jam vetëm,

por unë ‑ dhe ai që më dërgoi ‑ Ati.

17 Por edhe në Ligjin tuaj shkruan:

dëshmia e dy vetëve është e vërtetë.

18 Unë dëshmoj për vetveten

e për mua dëshmon edhe ai që më dërgoi,

Ati.”

19 Atëherë ata i thanë:

“Ku është yt Atë?”

Jezusi iu përgjigj:

“Ju nuk më njihni mua as Atin tim.

Po të më njihnit mua

do ta njihnit edhe Atin tim!”

20 Këto fjalë Jezusi i foli në Thesarore, ndërsa po mësonte në Tempull, dhe askush nuk e preku, sepse ende nuk kishte arritur koha e tij.

Ku unë shkoj, ju nuk mund të vini

21 Jezusi u tha përsëri:

“Unë po shkoj

e ju do të më kërkoni

dhe do të vdisni në mëkatin tuaj.

Ku unë shkoj,

ju s’mund të vini.”

22 Atëherë judenjtë thanë:

“A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“

23 E Jezusi u tha:

“Ju jeni prej këtu poshtë

kurse unë jam prej së Larti.

Ju jeni prej kësaj bote

kurse unë nuk jam prej kësaj bote.

24 Prandaj edhe ju thashë:

‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’

Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM

do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Atëherë ata i thanë:

“Kush je ti?”

“Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit?

26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj;

porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë

dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.”

27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.

28 Atëherë Jezusi u tha:

“Kur ta ngritni Birin e njeriut,

atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM

dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë,

por flas ashtu si më mësoi Ati.

29 Ai që më dërgoi, është me mua

e nuk më la vetëm,

sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.”

30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.

E vërteta do t’ju lirojë

31 Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të:

“Nëse do ta mbani fjalën time,

vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32 do ta njihni të vërtetën

dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën:

“Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’“

34 Jezusi u përgjigj:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

kushdo bën mëkat

është skllav (i mëkatit).

35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi,

ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36 Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë,

me të vërtetë do të jeni të lirë.

37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit,

e megjithatë kërkoni të më vritni,

sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38 Unë flas çka pashë tek Ati

e ju bëni

çka dëgjuat prej atit [tuaj].”

Babai juaj është djalli

39 Ata iu përgjigjën:

“Ati ynë është Abrahami.”

Jezusi u tha:

“Po të ishit bijtë e Abrahamit,

do të bënit veprat e Abrahamit!

40 Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua,

që ju fola të vërtetën,

që e dëgjova prej Hyjit.

Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41 Ju bëni veprat e babait tuaj.”

[Atëherë] i thanë:

“Ne s’kemi lindur nga fëlligështia ‑ kemi vetëm një baba ‑ Hyjin”

42 Jezusi iu përgjigj:

“Po ta kishit Hyjin Atë,

do të më donit edhe mua,

sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha;

nuk erdha prej vetvetes,

por Ai më dërgoi.

43 Përse nuk e merrni vesh fjalën time?

Pse nuk jeni të zotët ta dëgjoni fjalën time!

44 Babai juaj është djalli

e ju dëshironi të kryeni vullnetin e babait tuaj.

Ai qe vrastar njerëzish që në fillim,

nuk mundi të qëndrojë në të vërtetën,

sepse në të nuk ka të vërtetë.

Sa herë gënjen,

flet prej natyrës së vet

sepse është gënjeshtar dhe babai i gënjeshtrës.

45 E mua nuk më besoni

pikërisht pse ju flas të vërtetën.

46 Kush prej jush është i zoti

të ma vërtetojë se kam mëkatuar?

Nëse flas të vërtetën,

pse nuk më besoni?

47 Kush është prej Hyjit,

i dëgjon fjalët e Hyjit;

prandaj ju nuk i dëgjoni,

sepse nuk jeni prej Hyjit.

Para se Abrahami të ishte, unë jam

48 Judenjtë iu përgjigjën:

“Vallë, a nuk e themi të vërtetën se je samaritanas e se në trup ke djallin?”

49 Jezusi u përgjigj:

“Unë nuk e kam në trup djallin

por e nderoj Atin tim

e ju më çnderoni.

50 Por unë nuk e kërkoj nderin tim,

ka kush e kërkon dhe e gjykon.

51 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

ai që e zbaton fjalën time,

askurrë s’do ta shohë vdekjen”

52 [Atëherë] judenjtë i thanë:

“Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’ 53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”

54 Jezusi u përgjigj:

“Nëse unë e lavdëroj vetveten,

lavdi im është asgjë;

ka kush më lavdëron ‑ im Atë,

për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,

55 por ju nuk e njohët,

përkundrazi unë e njoh.

Po t’ju thoja se nuk e njoh,

do të isha gënjeshtar si ju.

Por unë e njoh

dhe e mbaj fjalën e tij.

56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt

nga dëshira për ta parë Ditën time.

E pa dhe u gëzua.”

57 Atëherë judenjtë i thanë:

“Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”

58 Jezusi u përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

përpara se të ishte Abrahami,

UNË JAM!”

59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.

Gjoni: 9. Jezusi shëron të verbërin e lindur i verbër

9

1 Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. 2 Nxënësit e tij e pyetën:

“Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?”

3 “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij ‑ u përgjigj Jezusi ‑ por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.

4 Derisa të jetë ditë

na duhet t’i kryejmë veprat

e Atij që më dërgoi

Po vjen nata,

kur askush s’mund të punojë.

5 Derisa të jem në botë,

jam drita e botës.”

6 Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë 7 dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)”. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.

8 Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin:

“Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”

9 “Ai është” ‑ thoshin disa.

“Jo, por është një që i përngjan atij ‑ thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte:

“Unë jam”

10 Atëherë i thanë:

“Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”

11 Ai u përgjigj:

“Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”

12 “Ku është ai?” ‑ i thanë.

“Nuk di” ‑ u përgjigj.

Farisenjtë e pyesin të verbërin si u shërua

13 Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. 14 Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. 15 Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigj:

“Më vuri baltë në sy, unë u lava ‑ dhe, ja, tani shoh!”

16 Atëherë disa prej farisenjve thanë:

“Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”

Por disa të tjerë thoshin:

“Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?”

Dhe u bë përçarje ndër ta.

17 Pastaj e pyetën prapë të verbërin:

“E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”

“Është profet” ‑ iu përgjigj.

18 Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, 19 dhe i pyetën:

“A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”

20 Atëherë prindërit e tij u përgjigjën:

“E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. 21

Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”

22 Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. 23 Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’

24 Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë:

“Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”

25 “A është mëkatar ‑ u përgjigj ‑ s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”

26 Atëherë ata i thanë:

“Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”

27 “Tashti ju thashë ‑ u përgjigj ‑ e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”

28 Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin:

“Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! 29 Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!”

30 “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme ‑ u përgjigj njeriu ‑ ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! 31 E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! 32 Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbërit që lindi i verbër! 33 Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”

34 “Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat ‑ iu përgjigjën ‑ e ti po na mëson!?”

Dhe e hodhën përjashta.

Të pamit shpirtëror

35 Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha:

“A beson ti në Birin e njeriut?”

36 Ai iu përgjigj:

“Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?”

37 “E pe ‑ i tha Jezusi ‑ Është ai që po flet me ty!”

38 Ai tha:

“Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.

39 Jezusi i tha:

“Erdha në këtë botë të bëj gjyq:

që të shohin ata që janë të verbër

e të verbohen ata që shohin!”

40 Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë:

“Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”

41 Jezusi u përgjigj:

“Po të ishit të verbër,

s’do të kishit mëkat.

Porse ju thoni: ‘Shohim!’

prandaj mëkati juaj mbetet.”

Gjoni: 10. Shëmbëlltyra e Bariut të mirë

10

1 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. 2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. 4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. 5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”

6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.

Jezusi Bariu i mirë

7 Prandaj Jezusi u tha përsëri:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

unë jam dera e deleve.

8 Të gjithë ata që erdhën (para meje)

janë vjedhës dhe cuba;

porse delet nuk i dëgjuan.

9 Unë jam dera:

kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet:

do të hyjë e do të dalë

dhe do të gjejë kullosë.

10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur,

për të prerë e për të bërë dëm.

Unë erdha

që delet ta kenë jetën

e ta kenë me plotësi.

11 Unë jam Bariu i mirë.

Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.

12 Rrogëtari ‑ që s’është bari,

të cilit nuk i përkasin delet ‑

kur sheh se po vjen ujku

lë delet e ikën

‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan:

13 është rrogëtar

dhe nuk shkqetësohet për delet.

14 Unë jam Bariu i mirë:

i njoh të miat

dhe ato më njohin mua.

15 Sikurse Ati më njeh mua

dhe unë e njoh Atin

edhe jetën e jap për delet.

16 Kam edhe të tjera dele,

që nuk janë të kësaj vathe.

Edhe ato më duhet t’i bashkoj

dhe do ta dëgjojnë zërin tim,

do të bëhet një grigjë e vetme

e një Bari i vetëm.

17 Prandaj edhe më do Ati,

sepse e jap jetën time

që ta marr përsëri.

18 Askush nuk mund të ma marrë:

por unë e jap prej vetes.

Kam pushtet ta jap jetën

e kam pushtet ta kthej prapë atë.

Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”

19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje ndërmjet judenjve. 20 Shumë prej tyre thoshin:

“Ka djallin në trup! Flet marrëzira! Pse ia vini veshin?!”

21 Të tjerë thoshin:

“S’janë këto fjalë të një të djallosuri! A thua djalli mund t’ua çelë sytë të verbërve?”

Judenjtë e përbuzin Jezusin

22 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër. 23 Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull. 24 Judenjtë e rrethuan dhe i thanë:

“Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!”

25 Jezusi iu përgjigj:

“Ju thashë e ju nuk më besoni.

Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim,

ato bëjnë dëshmi për mua.

26 Por ju nuk besoni,

sepse nuk jeni prej deleve të mia.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

28 Unë u jap jetën e pasosur,

kurrë nuk do të sharrojnë:

askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.

29 Ati im që m’i dha,

është më i madh se të gjithë

dhe askush s’mund t’i rrëmbejë

nga dora e Atit.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

31 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë. 32 Jezusi iu përgjigj:

“Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?”

33 Judenjtë iu përgjigjën:

“Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk shkruan në Ligjin tuaj:

Unë thashë: hyjni jeni?’

35 Nëse i quajti hyjni ata,

të cilëve u qe drejtur fjala e Hyjit

‑ e Shkrimi i shenjtë nuk mund të zhbëhet ‑

36 si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi

dhe e dërgoi në botë,

mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’

pse thashë: Jam Biri i Hyjit?

37 Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim,

mos më besoni.

38 Por nëse i bëj,

po edhe nëse nuk më besoni mua,

besojuni veprave,

që ta merrni vesh e ta kuptoni

se Ati është në mua

dhe unë në Atin.”

39 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.

40 Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje. 41 Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua.” 42 Atje besuan shumë në të.

Gjoni: 11. Ringjallja e Lazrit

11

1 Asohere ishte i sëmurë një farë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. 2 Maria ishte ajo, që e pati lyer Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte i sëmurë. 3 Prandaj motrat i çuan fjalë:

“Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.”

4 Jezusi, kur dëgjoi, tha:

“Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit.”

5 Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. 6 Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. 7 Veç atëherë u tha nxënësve:

“Ejani të shkojmë prapë në Jude.”

8 Nxënësit i thanë:

“Mësues! Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?”

9 Jezusi iu përgjigj:

“Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë?

Kush ecën ditën, nuk merr në thua,

spese e sheh dritën e kësaj bote.

10 Kush ecën natën, merr në thua,

sepse nuk ka dritë në të.”

11 U tha kështu, pastaj shtoi:

“Lazri, dashamiri ynë fle, por po shkoj ta zgjoj.”

12 Atëherë, nxënësit e tij i thanë:

“Zotëri, nëse fle, do të shërohet!”

13 Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. 14 Atëherë Jezusi u tha haptas:

“Lazri ka vdekur! 15 Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, pikërisht për ju ‑ që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!”

16 Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve:

“Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!”

Jezusi është Ringjallja dhe Jeta

17 Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. 18 Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. 19 Shumë judenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.

20 Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. 21 Atëherë Marta i tha Jezusit:

“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 22 (Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.”

23 “Do të ngjallet vëllai yt!” ‑ i tha Jezusi.

24 “E di se do të ngjallet ‑ iu përgjigj Marta ‑ në ringjallje ‑ Ditën e fundit.”

25 Jezusi iu përgjigj:

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta:

kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.

26 Edhe kush jeton e beson në mua,

nuk do të vdesë kurrë.

A e beson ti këtë?”

27 Marta iu përgjigj:

“Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit ‑ ai që duhej të vijë në botë!”

Jezusi qan

28 Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet dhe i tha lehtë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.” 29 Kjo, posa dëgjoi, u çua me vrap e shkoi tek ai. 30 Jezusi ende nuk kishte hyrë në fshat, por deri atëherë qëndroi atje, ku e kishte ndeshur Marta. 31 Tashti judenjtë që ishin me Marinë në shtëpinë e saj dhe po e ngushëllonin, kur panë se si u çua me të shpejtë dhe doli përjashta, shkuan pas saj të bindur se po shkonte te varri për të qarë.

32 Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha:

“Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!”

33 Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua 34 dhe pyeti:

“Ku e keni vënë?”

“Zotëri, eja e shih!” ‑ iu përgjigjën.

35 E Jezusit i ngufi vaji. 36 Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” 37 Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?”

Jezusi e ngjall Lazrin

38 Pastaj Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë e grykën ia kishin zënë me një gur.

39 Jezusi tha:

“Hiqeni gurin!”

Marta, motra e të ndjerit, i tha:

“Zotëri, tashmë ka marrë erë! Ka tashmë katër ditë që ka vdekur!”

40 “A nuk të thashë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”

41 E hoqën, pra, gurin.

Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha:

“O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen.

42 Unë e dija se gjithmonë më dëgjon,

por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon:

që të besojnë se Ti më dërgove.”

43 Si foli kështu, thirri me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” 44 Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”

Komploti kundër Jezusit

(Mt 26, 1‑5; Mk 14, 1‑2;Lk 22, 1‑2)

45 Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. 46 Disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çka bëri Jezusi. 47 Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli! 48 Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe .”

49 Njëri prej tyre, Kajfa ‑ kryeprifti i atij viti ‑ u tha:

“Ju s’po dini asgjë! 50 Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri për , se të mbarojë krejt populli!”

51 Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti ‑ profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull. 52 Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një. 53 Po atë ditë vendosën ta vrasin.

54 Për këtë arsye Jezusi nuk dilte më botërisht ndër judenj, por shkoi prej andej në një vend afër shkretëtirës, në qytetin që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit.

55 Ishin afër Pashkët e judenjve. Shumë vetë nga ai vend u ngjitën në Jerusalem para Pashkëve për t’u pastruar. 56 E kërkonin Jezusin dhe, ndërsa qëndronin në Tempull, i thoshin njëri‑tjetrit: “Çka ju thotë mendja: a thua ai nuk ka ndërmend të vijë për Festë?”

57 Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër: nëse ndokush e merr vesh ku gjendet Jezusi, të lajmërojë që të mund ta kapnin.

Gjoni: 12. Lyerja në Betani

12

1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri. 3 Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit. 4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.

7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 8 Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.”

Komploti kundër Lazrit

9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin, 11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.

Hyrja kremtore e Jezusit në Jerusalem

(Mt 21, 1‑11; Mk 11, 1‑11; Lk 19, 28‑40)

12 Të nesërmen, një shumicë e madhe njerëzish që kishin ardhur në Festë, kur dëgjuan se Jezusi po vinte në Jerusalem, 13 morën gema palmash dhe i dolën para. Brohoritnin:

Hosana!

Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!

Mbret i Izraelit!”

14 Jezusi gjeti një gaç, hipi në të siç thotë Shkrimi i shenjtë:

15 “Mos ki frikë, bija e Sionit!

Ja, Mbreti yt po vjen

kalor mbi një gaç!”

16 Këtë gjë nuk e kuptuan menjëherë nxënësit, por vetëm kur Jezusi hyri në lavdinë e vet, atëherë e kuptuan se këto ishin shkruar për të dhe se kishin bërë për të pikërisht ashtu. 17 Tashti turma që kishte qenë me të kur e thirri Lazrin prej varrit dhe e ngjalli prej së vdekuri, i bënte dëshmi. 18 Prandaj [edhe] populli i doli para, sepse u mor vesh se e bëri atë mrekulli. 19 Atëherë farisenjtë i thoshin njëri‑tjetrit: “A po shihni se s’keni ç’të bëni?! Ja, mbarë bota shkoi pas tij!”

Disa grekë kërkojnë Jezusin

20 Ndër ata që kishin ardhur në Festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. 21 Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” 22 Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. 23 Jezusi u përgjigj:

“Arriti ora

të lavdërohet Biri i njeriut.

24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes,

mbetet e vetme;

po nëse vdes

jep shumë fryt!

25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë.

Ai që e urren jetën e vet në këtë botë,

ai do ta ruajë për jetën e pasosur.

26 Kush do të më shërbejë,

le të vijë pas meje.

Ku jam unë,

atje do të jetë edhe shërbëtori im.

Atë që do të më shërbejë,

do ta nderojë Ati im.”

Biri i njeriut duhet të ngritet lart

27 “Tani shpirtin e kam të tronditur

e ç’të them?

O Atë, më shpëto nga kjo orë?

Porse, pikërisht për këtë erdha në këtë orë!

28 O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”

Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” 29 Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” të tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” 30 Jezusi iu përgjigj: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju!

31 Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë,

tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!

32 E unë, kur të jem lartësuar nga toka,

do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit”

33 Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.

34 Atëherë populli iu përgjigj:

“Ne dëgjuam nga Ligji se Mesia mbetet për gjithmonë. Si ti atëherë thua: ‘Biri i njeriut duhet të lartësohet’? Kush është ky: ‘Biri i njeriut’?”

35 Atëherë Jezusi u tha:

“Edhe për pak kohë është drita me ju

Ecni derisa të keni dritë

që të mos ju zërë terri.

Kush ecën në terr

nuk di kah shkon.

36 Derisa të keni dritë, besoni në dritën,

që të bëheni bijtë e dritës.”

Mosbesimi i judenjve

Jezusi, si i foli këto fjalë, doli dhe u fsheh prej tyre.

37 Edhe pse Jezusi kishte bërë aq shumë mrekulli para syve të tyre, ata s’besonin në të, 38 për t’u plotësuar fjala e Isaisë profet që thotë:

“O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?

Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?”

39 Prandaj, as nuk mund të besonin, sepse Isaia prapë thotë:

40 “Ua verboi sytë,

zemrën e tyre e bëri gur,

që të mos shohin me sy,

të mos kuptojnë me zemër

e të mos kthehen,

që unë të mos i shëroj.”

41 Këto fjalë i tha Isaia, sepse e pa lavdinë e tij e foli për të.

42 Megjithatë shumë edhe prej krerëve besuan në të, porse, për shkak të farisenjve, nuk e tregonin haptazi që të mos i përjashtonin prej sinagogës. 43 Sepse, më tepër e kishin në zemër lavdinë e njerëzve se lavdinë e Hyjit.

Dënimi prej fjalës së Jezusit

44 Jezusi shpalli:

“Kush beson në mua,

nuk beson në mua,

por në Atë që më dërgoi.

45 Kush më sheh mua,

sheh Atë që më dërgoi.

46 Unë ‑ drita ‑ erdha në botë,

që, kushdo që beson në mua,

të mos mbetet në terr.

47 E, nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia

e nuk i zbaton,

nuk jam unë ai që e dënoj,

sepse nuk erdha të dënoj botën,

por ta shpëtoj botën.

48 Atë që më përbuz mua

‑ e nuk i pranon fjalët e mia ‑

ka kush e gjykon:

fjala që kam thënë:

‑ ajo do ta gjykojë ditën e fundit.

49 Sepse unë nuk fola prej vetvetes,

porse ai që më dërgoi ‑ Ati ‑

Ai më urdhëroi

çka të them, çka të flas.

50 Dhe e di:

urdhri i tij është Jetë e pasosur.

Prandaj, çka them unë,

flas ashtu si më tha Ati

të them.”

Gjoni: 13. Jezusi u lan këmbët nxënësve

13

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. 6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha:

“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”

7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”

8 Pjetri iu përgjigj:

“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”

“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”

9 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”

10 Jezusi i tha:

“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha:

“A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.

16 “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij as i dërguari më i madh se dërguesi.

17 Pasi tani i dini këto, të lumët ju nëse edhe do t’i zbatoni! 18 Nuk po flas për ju të gjithë. Unë i njoh ata që zgjodha. Por ‑ le të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘Ai që ha bukën time, e ngriti thembrën e vet kundër meje.’

19 Po jua them që tani,

para se të ndodhë,

që, kur të ndodhë,

të besoni se UNË JAM.

20 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush e pranon atë që dërgoj unë,

më pranon mua,

e kush më pranon mua,

pranon Atë që më dërgoi.”

Jezusi tregon tradhtarin

(Mt 26, 20‑25; Mk 14, 17‑21; Lk 22, 21‑23)

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

njëri prej jush do të më tradhtojë.”

22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit. 24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti:

“Zotëri, cili është?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”

Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.

Atëherë Jezusi i tha:

“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”

28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.

30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

Urdhri i ri

31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:

“Tani u lavdërua Biri i njeriut!

Edhe Hyji u lavdërua në të!

32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]

edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.

Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!

33 Fëmijëzit e mi!

Edhe pak kohë jam me ju!

Do të më kërkoni,

por, siç u thashë judenjve,

tani po ju them edhe juve:

‘ku unë po shkoj,

ju nuk mund të vini.’

34 Po ju jap një urdhër të ri:

Duajeni njëri‑tjetrin!

Sikurse unë ju desha ju,

duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!

35 Nëse e doni njëri‑tjetrin,

të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.”

Jezusi paralajmëron mohimin e Pjetrit

(Mt 26, 31‑35; Mk 14, 27‑31; Lk 22, 31‑34)

36 Simon Pjetri i tha:

“Zotëri, ku mendon të shkosh?”

Jezusi [iu] përgjigj:

“Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”

38 Jezusi u përgjigj:

“Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”

Gjoni: 14. Jezusi është udha që çon tek Ati

14

1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!

Besoni në Hyjin

edhe në mua besoni!

2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.

Po të mos kishte, a do t’ju thoja:

‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?

3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,

do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,

që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”

5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”

6 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.

7 Nëse më njohët mua,

do ta njihni edhe Atin tim.

Që tani e njihni

dhe e keni parë.”

8 Filipi i tha:

“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”

9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?

Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.

Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’

10 Po a nuk beson

se unë jam në Atin e Ati është në mua?

Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes:

Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.

11 Më besoni mua:

Unë jam në Atin dhe Ati është në mua.

Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!

12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush beson në mua,

veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë.

Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,

sepse unë po shkoj tek Ati.

13 Dhe çdo gjë që të kërkoni në Emër tim

do ta bëj

që të lavdërohet Ati në Birin.

14 Nëse do të më kërkoni ndonjë gjë në

Emër tim, do ta bëj.”

Jezusi premton Shpirtin Shenjt

15 “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia.

16 Edhe unë do t’i lutem Atit

dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër,

që të jetë me ju përgjithmonë:

17 Shpirtin e së Vërtetës,

që bota s’mund ta marrë,

sepse nuk e sheh as nuk e njeh.

Ju e njihni

sepse Ai banon me ju e është në ju.

18 Nuk do t’ju lë jetimë;

do të vij tek ju.

19 Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më,

ndërsa ju do të më shihni,

sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni.

20 Atë ditë do ta kuptoni

se unë jam në Atin tim,

ju në mua e unë në ju.

21 Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban,

ai më do;

dhe atë që më do mua,

do ta dojë edhe Ati im,

edhe unë do ta dua

dhe do t’i dëftohem.”

22 I tha Juda, jo ai Iskarioti:

“Zotëri, [e] ç’ndodhi që do të na dëftohesh neve

e jo botës?”

23 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse ndokush më do,

ai do të ma mbajë fjalën,

Ati im do ta dojë,

tek ai do të vijmë

dhe tek ai do të banojmë.

24 Kush nuk më do,

nuk i mban fjalët e mia.

E fjala që po dëgjoni, nuk është imja,

por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.

25 Këto fjalë jua thashë

ndërsa banova me ju.

26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës,

të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim,

Ai do t’jua mësojë të gjitha

dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.

27 Po ju lë paqen,

po ju jap paqen time!

Nuk po jua jap siç e jep bota.

Mos t’ju shqetësohet zemra

as të mos ju trembet.

28 Ju dëgjuat se ju thashë:

‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’.

Po të më donit, do të galdonit

se po shkoj tek Ati,

sepse Ati është më i madh se unë.

29 Ju thashë tani

‑ para se të ndodhë,

që të besoni kur të ndodhë.

30 S’do të flas më shumë me ju,

pse po afrohet princi i botës.

Ai kundër meje s’mundet asgjë.

31 Por, që ta dijë bota se e dua Atin

dhe se bëj ashtu si më urdhëroi Ai.

Çohuni! Të shkojmë prej këndej!”

Gjoni: 15. Jezusi hardhia e vërtetë

15

1 “Unë jam hardhia e vërtetë,

e im Atë është vreshtari.

2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt,

Ai e pret,

kurse secilin që jep fryt,

Ai e pastron,

që të japë më shumë fryt.

3 Tashmë ju jeni të pastruar

me anën e fjalës që ju thashë.

4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju.

Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt

prej vetvetes,

i shkëputur prej hardhisë,

po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua.

5 Unë jam hardhia,

ju jeni shermendet.

Kush mbetet në mua e unë në të,

ai jep shumë fryt,

sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.

6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua,

hidhet jashtë porsi shermendi i prerë

e thahet.

Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen.

7 Nëse mbeteni në mua,

dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju,

kërkoni gjithçka të doni

dhe do t’ju jepet.

8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë:

nëse jepni shumë fryt

e dëftoheni nxënës të mi.

9 Sikurse Ati më ka dashur mua,

ashtu edhe unë ju kam dashur ju.

Qëndroni në dashurinë time!

10 Nëse i mbani urdhërimet e mia,

do të qëndroni në dashurinë time,

sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim

dhe qëndroj në të.

11 Jua thashë këto,

që gëzimi im të jetë në ju

e gëzimi juaj të jetë i plotë.

12 Ky është urdhri im:

duajeni njëri‑tjetrin

sikurse unë ju desha ju!

13 Dashuria më e madhe që ndokush mund

të tregojë është:

të japë jetën e vet për miqtë e vet.

14 Ju jeni miqtë e mi

nëse bëni çka ju urdhëroj unë.

15 Nuk ju thërras më shërbëtorë,

sepse shërbëtori nuk di

çka bën zotëria i tij;

unë ju quajta miq,

sepse ju zbulova gjithçka

që dëgjova prej Atit tim.

16 Ju nuk më zgjodhët mua,

por unë ju zgjodha ju

dhe ju caktova

të shkoni e të jepni fryt

e fryti juaj të qëndrojë;

dhe që Ati t’ju japë

çkado të kërkoni në Emër tim.

17 Këtë gjë ju urdhëroj;

duajeni njëri‑tjetrin!”

Urrejtja e botës

18 “Nëse bota ju urren,

ta dini se para jush më urreu mua.

19 Po të ishit të botës,

bota do t’i donte të vetët,

e pasi nuk jeni të botës,

‑ pse unë ju zgjodha prej botës ‑

për këtë arsye bota ju urren.

20 T’ju bjerë ndër mend fjala që ju thashë:

nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij.

Nëse mua më salvuan

edhe ju do t’ju salvojnë;

nëse fjalën time e mbajtën,

edhe tuajën do ta mbajnë.

21 E të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush

për shkak të emrit tim,

sepse nuk e njohin Atë, që më dërgoi.

22 Të mos kisha ardhur

e të mos u kisha folur,

nuk do të kishin mëkat,

prandaj tani nuk kanë arsyetim për fajin e vet.

23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

24 Po të mos kisha bërë ndër ta vepra,

që askush nuk i bëri,

mëkat nuk do të kishin,

kurse tani panë

e megjithatë, më urryen mua dhe Atin tim.

25 Por kështu ndodh që të shkojë në vend fjala

e shkruar në Ligjin e tyre:

Më urrejnë pa farë arsyeje.’

26 E kur të vijë Mbrojtësi,

të cilin do t’jua dërgoj prej Atit

‑ Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit ‑ Ai do të dëshmojë për mua.

27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua,

spese jeni me mua që në fillim.

Gjoni: 16. Veprimi i Shpirtit Shenjt

16

1 Jua thashë këto

që të mos moliset feja juaj.

2 Do t’ju përjashtojnë prej sinagogave.

Edhe më! Po vjen koha,

kur secili, që t’ju vrasë,

të mendojë se i bën shërbesë Hyjit.

3 E do të veprojnë kështu,

pse nuk e njohën as Atin as mua.

4 Jua tregova këto gjëra

që, kur të vijë koha,

t’ju bjerë ndër mend se jua pata thënë.”

Veprimi i Shpirtit Shenjt

“Nuk ju fola për këto që në fillim,

sepse isha me ju,

5 por tani po shkoj tek Ai, që më dërgoi,

dhe askush prej jush s’po më pyet: ‘Kah po shkon?’

6 por, pse ju thashë këto,

zemrat tuaja u mbushën me trishtim.

7 Por, unë po ju them të vërtetën:

është më mirë për ju të shkoj,

sepse, po s’shkova,

Mbrojtësi nuk do të vijë te ju,

kurse, po shkova,

do ta dërgoj te ju.

8 E kur të vijë Ai,

do ta vërtetojë se bota e ka gabim

në lidhje me mëkatin, me drejtësinë dhe me dënimin.

9 Në lidhje me mëkatin

‑ pse nuk besojnë në mua,

10 në lidhje me drejtësinë,

‑ pse po shkoj tek Ati

dhe nuk do të më shihni më.

11 Në lidhje me dënimin

pse princi i kësaj bote u dënua.

12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë

por tani s’mund t’i kuptoni.

13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑

Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.

Ai s’do të flasë prej vetvetes,

por do të flasë çka të dëgjojë

dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.

14 Ai do të më lëvdojë,

sepse do të marrë prej simes

e do t’ju zbulojë juve.

15 Gjithçka ka Ati, është imja.

Prandaj edhe ju thashë:

‘Merr prej simes

dhe do t’ju zbulojë juve’.”

Mjerimi kthehet në gëzim

16 “Edhe pak kohë e nuk do të më shihni,

prapë edhe pak e do të më shihni.”

17 Atëherë disa nga nxënësit e tij i thanë njëri‑tjetrit: “Çka është kjo që po na thotë: ‘Edhe pak kohë e nuk do të më shihni, prapë edhe pak e do të më shihni?’ dhe ‘Po shkoj tek Ati?’“ 18 Thoshin, pra: “Çka është [ajo që thotë] ‘Edhe pak kohë?’. S’po e marrim vesh çka do të thotë!” 19 Jezusi e mori vesh se deshën ta pyesnin e u tha:

“Ju po e pyesni njëri‑tjetrin rreth asaj që thashë:

‘Edhe pak kohë e nuk do të më shihni më

e prapë edhe disa kohë e do të më shihni’?

20 Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

ju do të qani e do të vajtoni

e bota do të gëzojë.

Ju do të trishtoheni,

por trishtimi juaj do të kthehet në gëzim.

21 Gruaja, kur i lind fëmija, është në trishtim,

sepse i erdhi ora e saj,

porse, pasi i lind fëmija,

nuk i bie më ndërmend vuajtja

prej gëzimit që lindi një njeri në botë.

22 Kështu edhe ju: tani jeni të trishtuar,

por unë prapë do të vij t’ju shoh

e zemra juaj do të galdojë

dhe askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj.

23 Atë ditë nuk do të më pyetni më për asgjë.

Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim,

do t’jua japë.

24 Deri tani asgjë nuk kërkuat në emër tim.

Kërkoni dhe do të merrni

që gëzimi juaj të jetë i plotë.”

Unë e kam mundur botën

25 “Këto jua thashë në shëmbëlltyra.

Po vjen koha,

kur nuk do t’ju flas më në shëmbëlltyra,

por haptazi do t’ju shpall për Atin.

26 Atë ditë keni për të lypur në emër tim,

e nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju,

27 sepse vetë Ati ju do,

pasi ju më deshët mua

e besuat se dola prej Hyjit.

28 Dola prej Atit dhe erdha në botë,

prapë po e lë botën e po kthehem tek Ati.”

29 Nxënësit thanë:

“Tani po flet haptazi e nuk po përdor kurrfarë shëmbëlltyre.

30 Tani e dimë se di gjithçka e nuk është nevoja të pyesë ndokush. Prandaj besojmë se dole prej Hyjit.”

31 Jezusi u përgjigj:

“Tani besoni?

32 Ja, po vjen koha ‑ madje arriti ‑

kur ju të shpërndaheni secili në punë të vet

e mua të më lini vetëm.

Por, unë nuk jam vetëm,

sepse me mua është Ati.

33 Jua thashë këto që ta keni paqen në mua.

Në botë keni vuajtje,

por mos u trembni

‑ unë e munda botën!”

Gjoni: 17. Lutja e Jezusit

17

1 Jezusi, si i tha këto, i çoi sytë e vet kah qielli dhe vazhdoi:

“O Atë, arriti koha:

jepi lavdi Birit tënd

që Biri të të japë lavdi ty

2 e që me pushtetin,

të cilin ia dhe mbi çdo njeri,

t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.

3 E kjo është jeta e pasosur:

që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë,

dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë:

e kreva veprën,

që ma dhe ta kryej.

5 E tani, o Atë, më lavdëro para teje

me atë lavdi që e kisha te ti

para se të fillonte të ishte bota.

6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve

që ti m’i dhe nga bota.

Ata ishin të tutë, ti m’i dhe,

dhe ata e mbajtën fjalën tënde.

7 Tani e kuptuan

se gjithçka më dhe, vjen prej teje,

8 sepse fjalët që ti m’i dhe

ua dorëzova atyre.

Ata i pranuan

dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje

dhe besuan se ti më dërgove.

9 Unë për ta lutem.

Nuk lutem për botën,

por për ata që ti m’i dhe,

sepse janë të tutë.

10 Gjithçka kam unë është jotja

e çka ke ti imja,

dhe në ta u lavdërova.

11 Unë nuk rri më në botë

e ata janë në botë,

e unë po vij te ti.

O Atë i shenjtë!

Ruaji në Emër tënd

ata që ti m’i dhe

që të jenë një sikurse ne!

12 Derisa unë isha me ta

i ruajta në Emër tënd ata që m’i dhe,

dhe vërtet i ruajta ‑ asnjë nuk u bor

përveç birit të bjerrjes ‑

në mënyrë që të plotësohej Shkrimi i shenjtë.

13 Tani po vij tek Ti

e këto po i them ndërsa ende jam në botë,

që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë.

14 Unë ua dorëzova fjalën tënde

dhe bota i urreu,

pse nuk janë të kësaj bote

sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.

15 Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës,

por t’i ruash nga i Keqi.

16 Ata nuk i përkasin botës,

sikurse as unë nuk i përkas botës.

17 Shenjtëroji në të vërtetën:

fjala jote është e vërteta.

18 Sikurse ti më dërgove në botë,

po ashtu edhe unë i dërgova në botë.

19 Për ta [unë] e kushtoj vetveten,

që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.

20 Nuk po të lutem vetëm për këta,

por edhe për të gjithë ata,

që, për shkak të fjalës së tyre,

do të besojnë në mua:

21 që të gjithë të jenë një.

Sikurse ti, Atë, që je në mua

dhe unë në ty,

ashtu edhe ata të jenë në ne,

që ta kuptojë bota se ti më dërgove.

22 Edhe unë ua dhashë lavdinë

që ti ma dhe

që të jenë një

sikurse ne jemi një

23 ‑ unë në ta e ti në mua,

që të jenë plotësisht një,

që bota ta dijë se ti më dërgove

dhe se i deshe ata siç më deshe mua.

24 Atë,

dua që ata, të cilët m’i dhe,

të jenë aty ku jam unë,

bashkë me mua,

që të kundrojnë lavdinë time,

lavdinë që ti ma dhe,

sepse më deshe

para se të krijohej bota.

25 Atë i drejtë!

Bota nuk të njohu

e unë të njoha.

Edhe këta e kuptuan

se ti më dërgove.

26 Këtyre ua dëftova Emrin tënd

dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj,

që dashuria me të cilën ti më deshe mua,

të jetë në ta

‑ dhe unë në ta.”

Gjoni: 18. Tradhtimi dhe kapja e Jezusit

18

1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij. 2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.

3 Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë.

4 Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:

“Kë kërkoni?”

5 “Jezu Nazarenin!” ‑ iu përgjigjën ata.

“Unë jam.” ‑ u tha Jezusi.

Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. 6 Kur, pra, Jezusi u tha: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. 7 Atëherë i pyeti përsëri:

“Kë kërkoni?”

“Jezusin Nazarenas!” ‑ iu përgjigjën ata. 8 Jezusi u tha: “Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!”

9 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.”

10 Atëherë Simon ‑ Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit:

“Shtjere shpatën në mill! A të mos e pi gotën që ma dha Ati?”

Jezusi para kryepriftit

(Mt 26, 57‑58; Mk 14, 53‑54; Lk 22, 54)

12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13 E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: “Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!”

Pjetri i bie mohit Jezusit

(Mt 26, 69‑70; Mk 14, 66‑68; Lk 22, 55‑57)

15 Simon‑Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, 16 kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit:

“A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?”

“Nuk jam!” ‑ iu përgjigj ky.

18 Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.

Kryeprifti merr në pyetje Jezusin

(Mt 26, 59‑66; Mk 14, 55‑64; Lk 22, 66‑71)

19 Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. 20 Jezusi i u përgjigj:

“Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. 21 Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.”

22 Pas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha:

“A kështu i përgjigjesh kryepriftit?”

23 “Nëse fola keq ‑ i tha Jezusi ‑ ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?”

24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.

Pjetri i bie prapë mohit Jezusit

(Mt 26, 71‑75; Mk 14, 69‑72; Lk 22, 58‑62)

25 Simon‑Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?” Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam.” 26 Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?” 27 Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.

Jezusi para Pilatit

(Mt 27, 1‑2, 11‑14; Mk 15, 1‑5; Lk 23, 1‑5)

28 Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. 29 Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti:

“Ç’padi keni kundër këtij njeriu?”

30 “Po të mos ishte ky keqbërës ‑ iu përgjigjën ata ‑ nuk do ta kishim sjellë para teje!”

31 Pilati u përgjigj:

“Merreni ju e gjykojeni sipas Ligjit tuaj!”

[Atëherë] Judenjtë u përgjigjën:

“Ne s’kemi leje të vrasim askënd!”

32 Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.

33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”

35 Pilati u përgjigj:

“Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”

36 Jezusi u përgjigj:

“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”

37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati.

“Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!

E unë linda dhe erdha në botë

për të dëshmuar të vërtetën.

Kush e do të vërtetën,

ai e dëgjon fjalën time.”

38 “Po çka është e vërteta?” ‑ i tha Pilati.

Jezusin e dënojnë për vdekje

(Mt 27, 15‑31; Mk 15, 6‑20; Lk 23, 13‑25)

Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:

“Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! 39 Tashti, ndër ju është zakon t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?”

40 Por ata bërtitën prapë:

“Jo këtë, por Barabën!”

E Baraba ishte cub.

Gjoni: 19. Jezusin e kryqëzojnë

19

1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahej me frushkuj.

2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë dhe i veshën një mantel të kuq. 3 I afroheshin dhe i thoshin:

“Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin flakaresha.

4 Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha:

“Ja, po jua nxjerr përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.”

5 Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha:

“Ja, Njeriu!”

6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën:

“Kryqëzoje, kryqëzoje!”

“Merreni ju e kryqëzojeni ‑ u tha Pilati ‑ se unë nuk gjej në të farë faji.”

7 Judenjtë iu përgjigjën:

“Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.”

8 Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër 9 dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: “Prej nga je?” Jezusi nuk i dha përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha:

“Mua nuk më përgjigjesh? A nuk e di se kam pushtet të të liroj e kam pushtet të të kryqëzoj?”

11 “Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ po të mos të të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi tek ti ka mëkat më të madh.”

12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshonte, porse judenjtë bërtitnin: “Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.”

13 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e nxori Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vendin që quhet “Kalldrëm” e hebraisht “Gabatha”. 14 Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u tha judenjve:

“Qe mbreti juaj!”

15 Ata atëherë bërtitën:

“Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”

“Ta kryqëzoj mbretin tuaj?” ‑ u tha Pilati.

Krerët e priftërinjve u përgjigjën:

“Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!”

16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej.

Jezusin e kryqëzojnë

(Mt 27, 32‑44; Mk 15, 21‑32;Lk 23, 26‑43)

E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota”. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.

19 Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.” 20 Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit:

“Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.”

22 Pilati u përgjigj:

“Çka shkrova, shkrova!”

23 Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë ‑ secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. 24 Prandaj i thanë njëri‑tjetrit: “Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.” Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë:

‘I ndanë mes tyre petkat e mia

e mbi petkun tim hodhën short.’

Ushtarët bënë pikërisht ashtu.

25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

“Grua, ja, yt bir!”

27 Pastaj i tha nxënësit:

“Ja, nëna jote!”

Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Vdekja e Jezusit

(Mt 27, 45‑56; Mk 15, 33‑41; Lk 23, 44‑49)

28 Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: “Kam etje!” 29 Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një sfungjer plot me uthull e ia afruan te goja. 30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:

“Gjithçka u krye!”

Uli kokën e dha shpirt.

Jezusit i shporojnë kraharorin

31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32 Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.

35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë:

“Do ta shohim Atë që shporuan.”

Varrimi i Jezusit

(Mt 27, 57‑61; Mk 15, 42‑47; Lk 23, 50‑56)

38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. 39 Erdhi edhe Nikodemi ‑ ai që pati ardhur te Jezusi dikur më parë natën ‑ dhe solli reth njëqind libra mirrë e aloe të përzier. 40 E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira. 41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.

Gjoni: 20. Ringjallja e Jezusit

20

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

3 Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. 4 Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. 5 Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. 6 Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna 7 dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

8 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. 9 Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri. 10 Atëherë nxënësit u kthyen në shtëpi.

Jezusi i dëftohet Marisë Magdalenë

(Mk 16, 9‑11)

11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë:

“Pse po qan, moj burrneshë?”

Ajo u përgjigj:

“E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”

14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha:

“Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?”

Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha:

“Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”

16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi.

Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”

18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.

Jezusi u dëftohet nxënësve

(Mt 28, 16‑20; Mk 16, 14‑18; Lk 24, 36‑49)

19 Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Pastaj u tha prapë:

“Paqja me ju!

Siç më dërgoi mua Ati,

ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha:

“Merrni Shpirtin Shenjt!

23 Atyre që jua falni mëkatet,

u falen,

e atyre që nuk jua falni,

nuk u falen.”

Jezusi dhe Toma

24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë:

“E pamë Zotërinë!”

Toma u përgjigj:

“Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”

26 Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Pastaj i tha Tomës:

“Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”

28 Toma iu përgjigj:

“Zotëria im dhe Hyji im!”

29 Jezusi i tha:

“Pse po më sheh, po beson.

Lum ata që nuk panë e besojnë!”

Qëllimi i librit

30 Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. 31 Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.

Gjoni: 21. Jezusi u dëftohet shtatë nxënësve

21

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri:

“Po shkoj të gjuaj peshk.”

“Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata.

U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha:

“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”

“Jo!” ‑ u përgjigjën ata.

6 Ai u tha:

“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”

Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ reth dyqind kutë.

9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha:

“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

Jezusi dhe Pjetri

15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon‑Pjetrin:

“Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?”

“Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!”

“Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.

16 Prapë e pyeti të dytën herë:

“Simon Gjoni, a më do ti mua?”

“Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

“Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi.

17 I tha për të tretën herë:

“Simon Gjoni, a më do?”

Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë:

‘A më do?’ dhe iu përgjigj:

“Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”

I tha Jezusi:

“Kulloti delet e mia!”

18 Përnjëmend, përnjëmend po të them:

kur ti ishe më i ri

e ngjeshje vetveten

dhe shkoje kah doje;

porse kur të plakesh,

do t’i hapësh duart

e një tjetër do të të ngjeshë

e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.”

19 I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”

Jezusi dhe nxënësi i dashur

20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?” 21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit:

“Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!”

23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]”

24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.