Kolosianëve: 1. Shërbesa e Palit në Kishë

1

1 Pali, për vullnet të Hyjit apostull i Krishtit Jezus, edhe vëllai Timote:

2 shenjtërve që janë në Kolos, vëllezërve besimtarë në Krishtin:

Hyji, Ati ynë, ju dhëntë hir e paqe!

Pali falënderon Hyjin për kolosianët

3 E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe lutemi vazhdimisht për ju, 4 sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve, 5 për arsye të shpresës që ruhet për ju në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së të vërtetës ‑ Ungjillit, 6 që arriti te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet, si në mbarë botën, ashtu edhe ndër ju, që prejditës kur dëgjuat dhe e njohët hirin e Hyjit me anë të së vërtetës, 7 ashtu si e keni mësuar prej Epafrit të dashur, shokut tonë në shërbesë. Ai na zëvendëson ndër ju si mbarështues besnik i Krishtit. 8 Ai edhe na njoftoi për dashurinë tuaj në Shpirtin Shenjt.

Personi dhe vepra e Krishtit

9 Prandaj edhe ne, që atë ditë, kur morëm vesh për këtë gjë, nuk pushojmë së luturi për ju dhe të kërkojmë prej Hyjit të fitoni me çdo urti e kuptim shpirtëror njohurinë e plotë të vullnetit të tij, 10 që të jetoni në mënyrë të denjë për Zotin dhe t’i pëlqeni Atij plotësisht, duke dhënë fryte veprash të mira dhe duke përparuar në njohurinë e Hyjit, 11 që të forcuar me çdo fuqi si i përgjigjet pushtetit të Hyjnisë së tij, të jeni të fortë e të durueshëm në çdo provë, që me gëzim 12 ta falënderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

13 Ai na nxori

nga pushteti i errësirës

dhe na kaloi

në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

14 në të cilin kemi shpërblimin

‑ faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm,

i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.

16 Sepse në Të u krijua çdo gjë

në qiell e në dhe,

çka shihet e çka nuk shihet:

qoftë Fronet, qoftë Zotërimet,

qoftë Principatat, qoftë Pushtetet

‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

17 Ai është para çdo gjëje

dhe çdo gjë qëndron në Të.

18 Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës;

Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit

‑ që të jetë në gjithçka i Pari.

19 Sepse Hyjit i pëlqeu

të banojë në Të e tërë Plotësia

dhe, me anë të Tij,

20 ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] ‑

të pajtojë me vete gjithçka

qoftë në tokë qoftë në qiell.

21 Edhe ju që dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija, 22 tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të trupit të vdekshëm të Krishtit ‑ nëpër vdekje ‑ që t’ju nxjerrë para Tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë. 23 Por duhet të qëndroni të themeluar në fe, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në shpresën që jep Ungjilli, për të cilin dëgjuat, i cili iu predikua secilës krijesë nën qiell. Këtij Ungjilli unë Pali iu bëra mbarështues.

Shërbesa e Palit në Kishë

24 Dhe tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij ‑ Kishën. 25 U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: 26 ‑ Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të tij. 27 Këtyre Hyji deshi t’ua bëjë të njohur lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë: d. m. th. : Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! 28 Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush të arrijë përsosmërinë në Krishtin. 29 Për këtë arsye edhe mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së tij i cili me plot fuqi vepron në mua në mënyrë të pushtetshme.

Kolosianëve: 2. Begatia e jetës në Krishtin

2

1 Këndej dëshiroj ta dini se ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata në Laodice edhe për të gjithë të tjerët që nuk më kanë parë kurrë personalisht, 2 që të ngushëllohen zemrat e tyre dhe, të bashkuar në dashuri të arrijnë tërë begatinë, plotësinë e kuptimit, njohjen e vërtetë të Misterit të Hyjit ‑ Krishtit. 3 Në Të janë të fshehura të gjitha visaret e dijes e të kuptimit.

4 Jua them këtë që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse. 5 Edhe pse me trup nuk jam i pranishëm, megjithatë me shpirt jam ndër ju: me kënaqësi e vërej radhën tuaj dhe patrandshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.

Begatia e jetës në Krishtin

6 Siç e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në Të: 7 të rrënjosur, vazhdimisht të mbimuruar në të dhe të fortë në fe sikurse qetë mësuar, gjithherë përplot me falënderim. 8 Ruajuni të mos ju gënjejë kush me anë të “filozofisë” ‑ me stërhollime të kota, që bazohen në thashethemet njerëzore, në “elementet e botës” e jo në Krishtin. 9 Dhe, pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni 10 të mbushur me anë të Tij. Ai është Kryet e çdo Principate e Pushteti.

11 Në të jeni edhe të rrethprerë, por me një rrethprerje që s’është bërë me dorë njeriu ‑ u zhveshët nga trupi i mëkatit ‑ me anë të rrethprerjes së Krishtit. 12 Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit. 13 Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të.

Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona,

14 Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të

urdhërimeve, ishte kundër nesh,

e bëri të zhduket,

e mbërtheu në kryq.

15 I çarmatosi Principatat dhe Pushtetet

‑ e dëftoi këtë botërisht ‑

dhe i tërhoqi zvarrë në kalimin ngadhënjyes të Kryqit!

16 Prandaj askush të mos guxojë t’ju dënojë për çështje ushqimi e pijeje, për çështje festash o hëne së re ose të shtunash, 17 sepse këto janë vetëm hija e atyre që duhej të vinin, kurse realiteti është Krishti! 18 Askush të mos ju shpallë të padenjë për shpërblim qiellor, pse ai, sikur “kënaqet në përshpirtëri dhe nderim të engjëjve”, gjasme është në vegime dhe është themeluar në kujtime shpirtërore dhe në mendjen e vet fryhet për pamje përrallore, 19 por nuk është i lidhur me Kryet ‑ me Atë, prej të cilit mbarë Trupi, në saje të gjymtyrëve dhe të nyjeve, i kujdesuar dhe i lidhur në një, rritet me rritjen që jep Hyji.

Jeta e re në Krishtin

20 Nëse bashkë me Krishtin keni vdekur për parimet e botës, pse atëherë ‑ thua se jeta juaj është ende e varur nga kjo botë, u nënshtroheni disa rregulloreve, si këto: 21 ”Mos merr, mos shijo, mos prek!” 22 Të gjitha këto janë të caktuara të mbarojnë me përdorim! Rregullore dhe mësime njerëzish! 23 Të gjitha këto janë gjasme nderim Hyjit, përshpirtëri, gjasme pendesë, duken si të ishin vërtet urti, por nuk kanë kurrfarë vlere, vetëm sa për të kënaqur trupin!

Kolosianëve: 3. Detyrat shoqërore të jetës së re

3

1 Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

5 Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastërtia, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë ‑ që është idhujtari ‑ 6 për shkak të tyre vjen hidhërimi i Hyjit [mbi ata që nuk dëgjojnë]. 7 Po, dikur edhe ju ecët kësaj udhe, kur jetuat në këto vese. 8 Por tani edhe ju flakni larg të gjitha këto: hidhërimin, zemërimin, të keqen, blasfeminë; goja juaj të mos përdorë fjalë të ndyta! 9 Mos rreni njëri‑tjetrin!

Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij 10 dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përgjasim të Krijuesit të vet. 11 Aty nuk ka më:

grek ‑ hebre,

rrethprerje ‑ parrethprerje,

barbar ‑ skit,

skllav ‑ të lirë,

por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12 Vishuni, pra, pasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. 13 Durojeni njëri‑tjetrin dhe faleni njëri‑tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju! 14 E pastaj, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. 15 Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja ‑ në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!

16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshillojeni njëri‑tjetrin me plot urti! Këndojini lavde Hyjit me gjithë zemër me psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme! 17 Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke falënderuar me anë të Tij Hyjin Atë.

Detyrat shoqërore të jetës së re

18 Ju gra, dëgjojini burrat tuaj ashtu si ka hije në Zotin. 19 Ju burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini me to të vrazhdët!

20 Ju fëmijë, dëgjojini prindërit në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit. 21 Ju etër, mos i tutukatni fëmijët tuaj që të mos e humbin guximin.

22 Ju skllevër, dëgjojini zotërinjtë tuaj tokësorë në gjithçka, jo vetëm ndër sy sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, me frikën e Zotit. 23 Çfarëdo pune që të bëni, bëjeni me vullnet, si ta bënit për Zotin e jo për njerëz 24 të sigurtë se do të merrni prej Zotit trashëgimin si shpërblim. Zotëria është Krishti; shërbejini Atij! 25 Patjetër, ai që bën padrejtësi, do të shpaguhet për padrejtësinë që bëri. Nuk ka krahambajtje.

Kolosianëve: 4. Të dini t’i përgjigjeni gjithkujt si duhet.

4

1 Ju zotërinj, jepuni skllevërve çka u përket me të drejtë dhe me drejtësi, të vetëdijshëm se edhe ju e keni Zotërinë në qiell.

Porositë

2 Qëndroni në lutje; rrini zgjuar në lutje duke falënderuar! 3 Gjithashtu lutuni edhe për ne që Hyji të na e hapë një fushë predikimi të lirë që të mund ta kumtojmë misterin e Krishtit, për shkak të të cilit jam ndër pranga 4 dhe që ta shpall ashtu si e kam për detyrë të flas.

5 Silluni me urti ndaj atyre që nuk janë të krishterë; shfrytëzojeni rastin sa më mirë! 6 Fjala juaj të jetë gjithmonë e ëmbël, plot urti. Të dini t’i përgjigjeni gjithkujt si duhet.

Përshëndetjet e fundit

7 Se si gjendem unë ‑ do t’ju tregojë Tihiku, vëllai i dashur, ndihmësi besnik dhe shërbëtor në Zotin bashkë me mua. 8 Po e dërgoj veçanërisht për t’ju njoftuar mbi gjendjen tonë dhe për të ngushëlluar zemrat tuaja. 9 Po e dërgoj bashkë me Onezimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është bashkëvendasi juaj: ata do t’ju tregojnë si qëndron puna këtu.

10 Ju bën të fala Aristarku që është i burgosur bashkë me mua. Gjithashtu edhe Marku, nipi i Barnabës [për të cilin ju patëm urdhëruar, që, nëse do të vijë, t’i bëni pritje të mirë]. 11 Ju bën të fala edhe Jezusi që quhet Just. Këta janë të vetmit që, prej të rrethprerëve, bashkëpunojnë me mua në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Këta qenë për mua një ngushëllim.

12 Ju bën të fala edhe Epafri, bashkëvendasi juaj, shërbëtor i Krishtit [Jezus]; ky gjithmonë lufton me lutje për ju, që të qëndroni të përsosur dhe të patrandshëm në plotësimin e vullnetit të Hyjit. 13 Unë dëshmoj për të se kujdeset së tepërmi për ju, për ata në Laodice dhe në Hierapolis. 14

Ju bën të fala edhe Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.

15 Përshëndetni vëllezërit në Laodice si dhe Nimfën dhe kishën që bashkohet në shtëpinë e saj. 16 E, kur kjo Letër të lexohet ndër ju, kujdesohuni që të lexohet edhe në Kishën e laodicenjve, po ashtu edhe ju kujdesohuni ta lexoni atë të Laodicesë.

17 Thuajini Arkipit: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin dhe plotësoje si duhet!”

18 Të fala me dorën time ‑ të Palit.

Mos i harroni prangat e mia!

Hiri qoftë me ju!