1 e Timoteut: 1. Qortim lidhur me mësimet e rreme

1

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus me

urdhër të Hyjit, Shëlbuesit tonë dhe të Krishtit Jezus, shpresës sonë:

2 Timoteut, birit të vërtetë në fe:

hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Qortim lidhur me mësimet e rreme

3 Sikurse të porosita kur u nisa për Maqedoni: zër vend në Efez për t’i urdhëruar disave disa të mos mësojnë mësime të tjera 4 dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji të pakufishme që ndihmojnë më fort për diskutime të kota se sa për planin e Hyjit që realizohet në fe. 5 Qëllimi i këtij urdhri është dashuria që del nga zemra e pastër, nga ndërgjegjja e mirë dhe nga feja e çiltër. 6 Në këtë gjë disa e lanë rrugën dhe u sollën drejt mësimeve të fjalëve të kota. 7 Këta duan të jenë mësues të Ligjit e nuk kuptojnë as çka flasin as çka pohojnë.

8 Vërtet, ne e dimë se Ligji është i mirë kur ndokush e përdor si duhet, 9 i bindur për këtë se Ligji nuk është dhënë për njeriun e drejtë, por për të këqijtë, për të padëgjueshmit, për të mbrapshtët, për mëkatarët, për të pafetë, për blasfemuesit, për atëvrasësit, për mëmëvrasësit, për njerivrasësit, 10 për fëlligështarët, për homoseksualët, për tregtarët me njerëz, për gënjeshtarët, për beshtrembërit dhe për çdo vepër tjetër që është kundër mësimit të shëndoshë ‑ 11 sipas Ungjillit të Lavdisë së Hyjit të lumtur, që më është besuar.

Falënderim për mëshirën e Krishtit

12 E falënderoj Atë që më dha fuqi ‑ Krishtin Jezus, Zotin tonë ‑ pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë 13 mua, që më parë isha blasfemues, salvues, arrogant. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. 14 Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.

15 Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. 16 Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua, më të parin, Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur.

17 Dhe Mbretit të shekujve,

të Pavdekshmit,

të Papashmit,

Një të Vetmit Hyj

i qoftë nder e lavdi

në shekuj të shekujve.

Amen!

18 Po ta jap këtë detyrë, biri im Timote, në përkim me profecitë që dikur u thanë mbi ty: Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! 19 Ruaje fenë dhe ndërgjegjen e mirë, që disa e flakën dhe përjetuan anijethyrjen në fe. 20 Ndër ta janë Himeneu dhe Aleksandri që i lashë në duart e Satanit me qëllim që të mësojnë të mos blasfemojnë.

1 e Timoteut: 2. Vërejtje rreth lutjes

2

1 Po të porosis, pra, më së pari le të bëhen

kërkesa, lutje, lutja, falënderim për të gjithë njerëzit, 2 për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të kthjellët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. 3 Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, 4 vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës. 5 Sepse,

Hyji është një i vetëm,

një i vetëm është edhe Ndërmjetësi mes Hyjit

e njerëzve:

Njeriu ‑ Jezu Krishti,

6 i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.

Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. 7 Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull ‑ ju them të vërtetën, nuk gënjej ‑ mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.

8 Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.

9 Gjithashtu dua që (edhe) gratë, të veshura si ka hije, të stolisen me turpshmëri dhe me urti, jo me gërsheta, me ar, me perla dhe me petka luksi, 10 por, me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen përshpirtërisë.

11 Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë. 12 Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë, as të sundojë burrin, por ‑ të rrijë në qetësi. 13 Sepse i pari u krijua Adami, atëherë Eva. 14 Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin. 15 Dhe do të shëlbohet duke lindur fëmijë në qoftë se qëndron me urti në fe, në dashuri dhe në shenjtëri.

1 e Timoteut: 3. Cilësitë e mbikëqyrësit

3

1 Është plotësisht e vërtetë fjala: “Në qoftë se ndokush dëshiron të bëhet mbikëqyrës, dëshiron një punë të ndershme”. 2

Por, veç, duhet që mbikëqyrësi të jetë i patëmetë, vetëm një herë i martuar, i përkormë, i arsyeshëm, i urtë, mikpritës, i aftë të mësojë, 3 jo i prirë kah pija, jo i dhunshëm. Përkundrazi, i butë, jo ngatërrestar, jo lakmues të hollash, 4 njeri që e udhëheq mirë shtëpinë e vet, që fëmijët e vet i mban nën drejtim me plot seriozitet ‑ [5 sepse, po nuk diti ndokush ta udhëheqë familjen e vet, si do të dijë të kujdeset për Kishën e Hyjit?] ‑ 6 të mos jetë posa i kthyer në fe, që të mos i rritet mendja e të bjerë në dënimin e djallit. 7 Madje duhet të gëzojë zë të mirë edhe ndër ata të jashtmit, që të mos bëhet gazi i kujt dhe të bjerë në leqe të djallit.

Cilësitë e diakonëve

8 Po kështu duhet të jenë edhe diakonët: të matur, jo mësalla me dy faqe, jo të dhënë tepër pas verës, as lakmues fitese të ndytë, 9 por nga ata që e ruajnë misterin e fesë në ndërgjegje të pastër. 10 Më parë le të vihen në provë e, nëse të sprovuar, dalin të patëmetë, atëherë le ta kryejnë shërbesën.

11 Gjithashtu edhe gratë le të jenë të matura, jo shpifëse, por të përkorme dhe besnike në gjithçka.

12 Diakonët të jenë burra të një gruaje, t’i udhëheqin mirë fëmijët e vet dhe shtëpitë e veta. 13 Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën e diakonit fitojnë shkallë të ndershme dhe siguri të madhe në fenë që është në Krishtin Jezus.

Misteri në të cilin themelohet përshpirtëria

14 Po t’i shkruaj të gjitha këto edhe pse shpresoj se së shpejti do të vij te ti, 15 por, në qoftë se do të vonoj, të dish si duhet të sillesh në Shtëpinë e Hyjit, që është Kisha e Hyjit të gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës. 16 S’ka dyshim, i madh është misteri i përshpirtërisë:

Krishti u dëftua në natyrën e njeriut,

u shfajësua me Shpirtin Shenjt,

u vrojtua nga engjëjt,

u predikua ndër paganë,

u besua nga bota,

u ngrit në lavdi.

1 e Timoteut: 4. Parakallëzimi i apostazisë

4

1 Shpirti Shenjt shpall botërisht se në kohën e fundit disa njerëz do t’i bien mohit fesë dhe do t’u besojnë shpirtrave të rrejshëm dhe mësimeve të frymëzuara nga djajtë, 2 të ngashnjyer nga hipokrizia e rrenacakëve me ndërgjegje të shënuar me hekur të skuqur, 3 të cilët ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hahen ushqimet që Hyji i ka krijuar për t’i ngrënë me falënderim besimtarët që e njohin të vërtetën. 4 Sepse gjithçka Hyji krijoi është e mirë dhe asgjë s’është për t’u përçmuar, nëse merret me falënderim, 5 sepse e shenjtëron fjala e Hyjit dhe lutja.

Shërbëtori i mirë i Krishtit

6 Në qoftë se ua mëson vëllezërve këto të vërteta do të jesh mbarështues i mirë i Krishtit Jezus, i ushqyer mirë me fjalë feje dhe me mësimin e mirë që vazhdimisht e ndjek. 7 Hiqju përrallave të shekullit e të plakave! Më mirë ushtrohu në përshpirtëri! 8 Vërtet, ushtrimi trupor pak ka vlerë, kurse përshpirtëria është e dobishme për gjithçka, sepse sjell me vete premtimin e jetës së tashme dhe të asaj të ardhshmes. 9 Kjo fjalë është e denjë të besohet dhe të pranohet prej të gjithëve: 10 prandaj vuajmë dhe luftojmë pse shpresojmë në Hyjin e gjallë që është Shëlbuesi i të gjithëve, sidomos i besimtarëve. 11 Këto gjëra urdhëroj dhe mësoj!

12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në fe, në pastërti! 13 Derisa të vij kushtohu Leximit, këshillimit dhe mësimit. 14 Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në saje të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve. 15 Kujdesohu për këto, jepu tërësisht pas tyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. 16 Vërja mendjen vetes dhe mësimit! Të jesh i qëndrueshëm në këto gjëra! Sepse, duke vepruar kështu, do të shëlbosh veten dhe ata që të dëgjojnë.

1 e Timoteut: 5. Si një familje e vetme

5

1 Me plakun mos ji i ashpër, por qortoje si ta kishe baba, të rinjtë porsi vëllezër, 2 plakat si nëna, të rejat si motra ‑ me plot pastërti.

3 Vejushat nderoji ‑ ato që janë vërtet vejusha. 4 Por, në qoftë se ndonjë vejushë ka fëmijë ose nipa, më së pari ata le të dinë të dëftojnë nderim ndaj familjes së vet, dhe t’ua kthejnë shpërblimin prindërve të vet, sepse kjo gjë i pëlqen Hyjit. 5 Ajo që është vërtet vejushë ‑ krejtësisht e vetme: ajo e vë shpresën në Hyjin dhe jepet pas lutjes dhe uratës natë e ditë; 6 kurse, ajo që jepet pas ëndjeve, edhe pse e gjallë, është e vdekur. 7 Pikërisht këto gjëra porositi që të jenë të patëmeta . 8 Në qoftë se ndokush nuk është i kujdesshëm për të vetët, sidomos për anëtarët e familjes, i ka rënë mohit fesë dhe është më i keq se i pafeu.

9 Në regjistrin për vejusha të shkruhet vejusha jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, një herë e martuar, 10 që ka dëshminë e veprave të mira: që i ka rritur fëmijët, që ka qenë mikpritëse, që u ka larë këmbët shenjtërve, që ka ndihmuar nevojtarët, që i është kushtuar çdo vepre të mirë. 11 Vejushat më të reja mos i prano, sepse, kur epshi i largon prej Krishtit, kërkojnë të martohen. 12 Po kështu meritojnë dënimin pse e shkelën besnikërinë e parë. 13 Për më tepër, duke mos punuar, mësojnë të shëtisin shtëpi më shtëpi e janë, jo veçse të papuna, por edhe shpërhallëse, kureshtare dhe flasin çka s’duhet. 14 Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen shtëpiake që të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak të flasë keq. 15 Sepse tashmë disa i morën rrugët e djallit. 16 Në qoftë se ndonjë besimtare ka me vete gra të veja, le t’u ndihmojë e të mos i bëhen barrë Kishës, që të mund t’u ndihmojë atyre që vërtet janë të veja.

17 Udhëheqësit që e kryejnë mirë parësinë në Kishë, meritojnë nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë rreth fjalës së Hyjit dhe dhënies së mësimit. 18 Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: “Kaut që shin në lëmë, mos ia lidh gojën!” Edhe: “Punëtorit i takon paga e tij.” 19 Padinë kundër udhëheqësit mos e prano veç në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. 20 Fajtorët qortoji ndër sy të të gjithëve që të tremben edhe të tjerët. 21 Po të lëshoj be para Hyjit, para Krishtit Jezus dhe para engjëjve të zgjedhur, që t’i mbahesh kësaj rregulle pa paragjykime dhe kurrë mos bëj gjë me krahambajtje.

22 Askujt mos i vër duart me ngutësi! Mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve! Ruaje veten të pastër!

23 Mos pi më vetëm ujë, por pi ngapak verë për shkak të stomakut dhe të sëmundjeve të tua të shpeshta.

24 Mëkatet e disa njerëzve dalin në shesh edhe përpara gjyqit, kurse të disa të tjerëve pas gjyqit. 25 Po ashtu edhe veprat e mira dalin në shesh; por edhe ato që janë ndryshe, nuk mund të mbesin të fshehta.

1 e Timoteut: 6. Mësimet e rreme dhe pasuria e rreme

6

1 Ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le t’i çmojnë zotërinjtë e vet të denjë për çdo nderim që të mos shahet Emri i Hyjit dhe Mësimi. 2 Ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, mos t’i çmojnë më pak për shkak se janë vëllezër, por le t’u shërbejnë edhe më tepër pikërisht për arsye se ata që shërbehen prej tyre janë besimtarë dhe vëllezër të dashur.

Mësimet e rreme dhe pasuria e rreme

Këto gjëra mësoji dhe porositi!

3 Në qoftë se ndokush mëson ndryshe dhe nuk i ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe mësimin që është në përkim me përshpirtërinë, 4 ai është i verbuar nga krenaria, asgjë nuk kupton, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e rragatjes rreth fjalësh. Nga kjo rrjedh smira, grindja, fjalët fyese, dyshimet e këqija, 5 ngatërresat e njerëzve të prishur në mend dhe që nuk janë në të vërtetën, që mendojnë se përshpirtëria është burim fitese. 6 Vërtet, përshpirtëria është dobi e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka! 7 Sepse në këtë botë nuk sollëm asgjë me vete dhe prej saj asgjë nuk do të marrim me vete. 8 Këndej, në qoftë se kemi çka të hamë e të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. 9 Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurth dhe në shumë prirje të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në rrënim dhe në bjerrje. 10 Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave; për arsye të tij disa e lanë fenë dhe e munduan vetveten me shumë vuajtje.

Lufta e mirë për fe

11 Kurse ti, o njeriu i Hyjit, iku këtyre gjërave! Jepu me gjithë shpirt pas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! 12 Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! 13 [Të] Urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha gjërave, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, 14 mbaje Urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, 15 që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai,

I Lumi dhe i Vetmi Sundimtar,

Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve,

16 Ai që i vetmi e ka pavdekësinë,

që banon në dritën e paafrueshme,

të cilin asnjë njeri nuk e pa

dhe asnjë njeri s’mund ta shohë.

Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm!

Amen!

17 Atyre që në këtë shekullin e tashëm janë të pasur, urdhëroju të mos jenë krenarë dhe të mos e vënë shpresën e vet në pasurinë e pasigurt, por në Hyjin që na jep gjithçka me begati për ta gëzuar, 18 le të bëjnë mirë, le të pasurohen me vepra të mira, le të jenë dorëdhënë për të mirën e përbashkët, 19 duke grumbulluar kështu për vete kryegjë të mirë për të ardhmen që ta fitojnë jetën e vërtetë.

Porosia e fundit dhe përshëndetja

20 Ruaji, o Timote, të vërtetat e fesë që t’u besuan! Largohu prej përrallave boshe dhe prej kundërshtimeve të një dijeje të rreme, 21 që disa e rrëfyen dhe e borën fenë.

Hiri qoftë me ju!