Dalja: 1. Përparimi i hebrenjve në Egjipt

1

 1 Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që, bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt, secili me familjen e vet:

2 Rubeni, Simoni, Levi e Juda,

3 Isahari, Zabuloni e Beniamini,

4 Dani, Neftaliu, Gadi e Aseri.

5 Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin së

bashku shtatëdhjetë frymë.

Jozefi ishte që më parë në Egjipt.

6 Jozefi vdiq. Vdiqën edhe të gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni. 7 Bijtë e Izraelit u rritën, u shtuan, u shumuan, u forcuan për së tepërmi dhe e mbushën dheun.

Shtypja e hebrenjve

8 Atëherë u ngrit mbi Egjipt një mbret i ri, i cili nuk e kishte njohur Jozefin. 9 Ky i tha popullit të vet: “Ja, populli i Izraelit u shumua fort dhe u bë më i fuqishëm se ne! 10 Të marrim, pra, ndaj tij masa të mjaftueshme për të bërë që të mos shumohet; ndryshe, në rast lufte kundër nesh, do të bashkohet me armiqtë tanë, dhe, pasi të na mundin, do të dalin nga vendi”. 11 Prandaj vuri mbi ta kryepunëtorë, që t’i shtypnin me punë të rënda. Ata ndërtuan për faraonin qytetet‑depo: Pitomin dhe Ramsesin. 12 Por, sa më fort që i shtypnin, aq më tepër rriteshin dhe shtoheshin përtej çdo mase. 13 Egjiptianët filluan t’i kenë frikë bijtë e Izraelit, këndej nisën t’i mundojnë pa mëshirë 14 dhe ua bënë jetën e hidhur duke i shtërnguar të punojnë punët e rënda, siç janë llaçi e punimi i tullave edhe me çdo vepër tjetër skllavërie me të cilën ua bënin jetën ngjak.

15 Pastaj mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e hebrenjve, prej të cilave njëra quhej Sefra e tjetra Pua, 16 dhe iu urdhëroi: “Kur t’u shërbeni grave të hebrenjve në kohën e lindjes, në qoftë se do të jetë fëmija mashkull, vriteni, nëse është femër, lëreni”! 17 Porse mamitë e druanin Hyjin dhe nuk bënë si u urdhëroi mbreti i egjiptianëve, por i ruanin në jetë edhe fëmijët meshkuj. 18 Mbreti i thirri dhe u tha: “Çka po bëni kështu? Ju po i ruani djemtë!” 19 Ato përgjigjën: “Gratë hebrenje nuk janë porsi gratë egjiptiane. Ato janë të forta dhe, para se ne të arrijmë, ato lindin”. 20 Hyji i bekoi mamitë dhe populli u rrit dhe u forcua për së tepërmi. 21 Dhe, pasi mamitë e patën frikën e Hyjit, Hyji ua mbushi shtëpinë me trashëgimtarë.

22 Për këtë arsye faraoni dha urdhër dhe i tha mbarë popullit të vet: “Çka të lindin mashkuj, hidhni në lumë, kurse femrat lini gjallë”!

Dalja: 2. Lindja e Moisiut

2

 1 Një burrë prej familjes së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. 2 Ajo ngjizi dhe lindi djalë. E pa se fëmija ishte i bukur dhe e fshehi për tre muaj. 3 Pasi s’mundi ta mbante më të fshehur, mori një shportë papirusi, e leu me bitum e me peshkve, brenda e futi fëmijën dhe e la në kallamishte, në breg të lumit. 4 Motra e fëmijës rrinte dhe vërente prej së largu çka do të ndodhë.

5 Dhe ja, bija e faraonit erdhi dhe hyri të lahet në lumë, ndërsa shërbëtoret e saja shëtisnin bregut të lumit. Bija e faraonit, kur e pa shportën në kallamishte, e dërgoi shërbëtoren e vet për ta sjellë. 6 Kur e hapi, pa në të një djalë që po qante. Pati dhimbje për të dhe tha: “Qenka një fëmijë hebrenjsh”! 7 Atëherë i tha motra e fëmijës: “A të shkoj e ta thërras një grua hebrenje që të mund ta ushqejë foshnjën”? 8 iu përgjigj: “Shko”! Vajza u lëshua vrap dhe e thirri t’ëmën e foshnjës. 9 Kësaj bija e faraonit i tha: “Merre këtë foshnjë dhe ma ushqe! Unë do të të paguaj”! Gruaja e mori fëmijën, e ushqeu e, kur u rrit, ia dorëzoi bijës së faraonit. 10 Kjo ia ngjiti emrin Moisi. Tha: “Sepse e nxorra prej ujit”.

Moisiu ikën në Madian

11 Ndër ato ditë, Moisiu, si u rrit, shkoi te vëllezërit e vet. Pa se si po vuanin e pa edhe një egjiptian duke e rrahur një hebre ‑ prej vëllezërve të tij. 12 Pasi shikoi këndej e andej e nuk pa kë, e vrau egjiptianin dhe e fshehi në rërë. 13 Doli të nesërmen dhe i pa dy hebrenj që po grindeshin. I tha atij që po e rrihte shokun: “Përse po e rrah të afërmin tënd”? 14 Ai iu përgjigj: “Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? A mos po do të më vrasësh, siç e vrave egjiptianin”?

Moisiun e kapi frika dhe tha: “Po si doli kjo gjë në dritë”?

15 Kur i shkoi kjo ngjarje në vesh faraonit, ai deshi ta vrasë Moisiun. Moisiu iku prej tij dhe shkoi në dheun e Madianit e u ndal të pushojë përbri një pusi.

16 Tashti, prifti i Madianit kishte shtatë vajza. Këto erdhën të nxjerrin ujë. Këto i mbushën lugjet me ujë e donin t’u jipnin ujë grigjave të t’et. 17 Por arritën barinjtë dhe i dëbuan ato. Mirëpo, Moisiu u ngrit, i mbrojti vajzat dhe u dha ujë deleve të tyre. 18 Këto u kthyen tek i ati, Ragueli dhe ai u tha: “Përse u kthyet më shpejt se zakonisht”? 19 Ato përgjigjën: “Një burrë egjiptian na shpëtoi prej barinjve. Për më tepër, nxori ujë për ne dhe u dha edhe berreve tona”. 20 Por ai u tha: “Ku është ai njeri? Përse e latë të shkojë? Thirreni të hajë bukë”! 21 Kështu Moisiu pranoi të jetojë tek ai njeri dhe e mori për grua Seforën, bijën e tij. 22 Ajo i lindi një djalë, të cilin e quajti Gersam. Tha: “Jam i ardhur në dhe të huaj”!

THIRRJA E MOISIUT

Hyjit i bie ndër mend për Izraelin

23 Mirëpo, pas një kohe të gjatë, vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende dënesnin në skllavëri. Klithnin të mjerët prej vuajtjeve të robërisë, dhe klithjet e tyre për ndihmë arritën te Hyji. 24 Hyji i dëgjoi klithjet e tyre dhe iu kujtua besëlidhja që e lidhi me Abrahamin, me Izakun e me Jakobin. 25 Zoti i pa izraelitët dhe u kujdesua për ta. Ai iu dëftua atyre.

Dalja: 3. Kaçuba e ndezur

3

 1 Tashti, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Pasi i dha grigjës mballimin e shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb. 2 Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në mes të një kaçube. Kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej.

3 Moisiu mendoi: “Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba”. 4 Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: “Moisi, o Moisi”! Ai u përgjigj: “Urdhëro!”. 5 Ai tha: “Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë”! 6 Dhe shtoi: “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit”. Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.

Misioni i Moisiut

7 Zoti i tha: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. 8 Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut. 9 Kështu, pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pashë shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve. 10 Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit”!

11 Por Moisiu i tha Hyjit: “Po kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit prej Egjiptit”? 12 E Hyji i tha: “Unë do të jem me ty! Dhe, ja, shenja se të kam dërguar: kur ta nxjerrësh popullin prej Egjiptit, mbi këtë mal do t’i jepni nderim Hyjit”.

Zbulimi i Emrit të Hyjit

13 Atëherë Moisiu i tha Hyjit: “Ja, po qe se unë po shkokam te bijtë e Izraelit dhe po ju thënkam: Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’, çka do t’u them”? 14 Hyji i tha Moisiut: “Unë jam ai që jam”! 15Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: “Kështu thuaju bijve të Izraelit: Jahveu /Ai që është/, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi tek ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni”.

Shtjellime rreth dërgimit të Moisiut

16 “Shko e bashkoji pleqtë e Izraelit dhe thuaju: ‘Zoti, Hyji i etërve tuaj, m’u dëftua: Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit e më tha: Erdha t’ju shoh dhe pashë gjithçka që po ju ndodh në Egjipt. 17 Vendosa: t’ju nxjerr nga skllavëria e Egjiptit dhe do t’ju çoj në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Perezeut, të Heveut dhe të Jebuzeut, në dheun ku rrjedh qumësht e mjaltë. 18 Ata do ta dëgjojnë fjalën. Ti dhe pleqtë e Izraelit do të hyni te mbreti i Egjiptit dhe thuajini: ‘Zoti, Hyji i hebrenjve na u dëftua. Tani duhet të shkojmë në shkretëtirë tri ditë rrugë larg, për t’i flijuar Zotit, Hyjit tonë’.

19 Unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni në qoftë se nuk shtrëngohet nga shuplaka e rëndë. 20 Prandaj unë do ta shtrij dorën time dhe do ta shtrëngoj Egjiptin me mrekullitë e mia të llojllojshme që do t’i bëj në të. Pas kësaj do t’ju lëshojë”.

Do ta merrni pasurinë e Egjiptit

21 “E unë do t’ua zbus zemrën egjiptianëve ndaj këtij populli që, kur ta lëshoni Egjiptin, të mos dilni duarthatë. 22 Por çdo grua do t’i lypë të afërmes së vet si dhe bashkëbanueses së vet gjëra argjendi dhe ari si dhe petka. Ju do t’i ngarkoni me to bijtë e bijat tuaja, dhe kështu do t’ia merrni pasurinë Egjiptit”.

Dalja: 4. Moisiut i jepet fuqia mrekullibërëse

4

1 Moisiu u përgjigj: “Po çka, nëse nuk më besojnë e nuk ma dëgjojnë fjalën e më thonë: ‘Ty nuk të është dëftuar Zoti’”? 2 Zoti iu përgjigj: “Çka është ajo që mban në dorë”? U përgjigj: “Shkop”. 3 Dhe Zoti i tha: “Hidhe në tokë!” Ai e hodhi dhe u kthye në gjarpër, sa që Moisiu u largua. 4 Por Zoti i tha: “Shtrije dorën dhe kape për bishti”! E shtriu dorën dhe e kapi, u kthye prapë në shkop. 5 “Kaq që ta besojnë se të është dukur Zoti, Hyji i etërve të tyre, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit” ‑ i tha.

6 Por Zoti i tha përsëri: “Shtjere dorën tënde në gji”! Këtë, pasi e futi, e nxori të gërbulur, bardhë si bora! 7 I tha: “Ktheje dorën tënde prapë në gji!” E futi dhe, kur e nxori prapë, ishte shëndosh porsi pjesa tjetër e trupit. 8 “Në qoftë se nuk të besojnë ‑ i tha ‑ dhe nuk i bind shenja e parë, do të besojnë në shenjën e mrekullisë së dytë. 9 Po në qoftë se as këtyre dy shenjave nuk do t’u besojnë dhe nuk do ta dëgjojnë fjalën, merre ujin e lumit dhe derdhe përmbi terik: uji që more nga lumi do të shndërrohet në gjak”.

Aroni shtjellues i Moisiut

10 Moisiu i tha Zotit: “Më fal, o Zot, unë nuk jam njeri gojëmbarë! Nuk kam qenë as më parë dhe as tani, që kur fole me shërbëtorin tënd: nuk më rrjedhin fjalët e jam i ngadalshëm në të folur”! 11 Por, Zoti i tha: “Kush ia dha njeriut gojën? Ose kush e bën memec ose të shurdhët? Kush i jep të shohë ose e bën të verbër? A nuk jam unë ai? 12 Nisu, pra, dhe unë do të jem në gojën tënde dhe do të të mësoj çka duhet të flasësh”! 13 Por, ai i tha: “Më fal, o Zot, por ço dikënd tjetër”! 14 Zoti u hidhërua në Moisiun dhe i tha: “Aroni, yt vëlla, e di se është gojëmbarë! Dhe ja, po të del përpara e kur të të shohë do të gëzohet nga thellësia e zemrës. 15 Fol me të dhe fjalët e mia vëri në gojën e tij. Unë do të jem në gojën tënde dhe në gojën e tij. Vetë do t’ju mësoj çka do t’ju duhet të bëni. 16 Ai do të flasë në vend tënd me popull dhe do të jetë goja jote. Për të ti do të jesh në vend të Hyjit. 17 Merre edhe këtë shkop në dorën tëndë, se me të do të bësh mrekulli”!

Moisiu kthehet në Egjipt. Të nisurit prej Madianit

18 Moisiu u nis prej andej, shkoi te vjehrri i vet Jetroja dhe i tha: “Më lejo të shkoj e të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt që të shoh a janë gjallë”. Jetroja i tha: “Shko në paqe”!

19 Pra, Zoti i tha Moisiut në Madian: “Nisu e kthehu në Egjipt, sepse kanë vdekur të gjithë ata që donin të të vrisnin”. 20 Moisiu i mori gruan dhe fëmijët e vet, i vuri në gomar dhe u kthye në Egjipt. Në dorë e mori shkopin e Hyjit. 21 Ndërsa po kthehej në Egjipt, Zoti i tha Moisiut: “Shih! Bëri para faraonit të gjitha mrekullitë për të cilat të dhashë pushtet. Mirëpo, unë do ta nguroj zemrën e tij dhe ai nuk do të lejojë të dalë populli. 22 Ti thuaj: ‘Kështu thotë Zoti: Izraeli është i parëlinduri biri im’. 23 Unë po të them: Ma lejo birin tim të më shërbejë. Po nëse nuk do të ma lejosh të shkojë, unë do ta vras të parëlindurin tënd”.

Rrethprerja e birit të Moisiut

24 Ndërsa ishte në udhëtim, në një vend, ku po kalonte natën, i doli para Zoti dhe deshi ta vrasë. 25 Sefora mori një gur shumë të mprehtë dhe e rrethpreu djalin e vet. Ia preku këmbët burrit dhe tha: “Të kam burrë të përgjakur”! 26 Atëherë e lëshoi, pasi ajo tha: “Burrë të përgjakur”, për shkak të rrethprerjes.

Takimi me Aronin

27 Kurse Aronit Zoti i tha: “Dili para Moisiut në shkretëtirë”. Ky i doli para në malin e Hyjit dhe e përqafoi. Moisiu i tregoi Aronit çdo fjalë të Zotit, me të cilat e kishte dërguar si dhe shenjat që i kishte urdhëruar.

28 Erdhën bashkë dhe i bashkuan të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit. 29 Aroni u tregoi çdo fjalë që Zoti ia kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit. 30 Populli besoi. E morën vesh se Zoti i kishte parë bijtë e Izraelit se e kishte parë mjerimin e tyre, dhe e adhuruan me fytyrë për dhe.

Dalja: 5. Takimi i parë me faraonin

5

1 Pas kësaj ngjarjeje, Moisiu e Aroni hynë te faraoni dhe i thanë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Lëshoje popullin tim që të shkojë të më bëjë fli në shkretëtirë.” 2 Por ai u përgjigj: “Kush është ai Zot, që t’ia dëgjoj fjalën e ta lëshoj Izraelin? Unë nuk e pranoj atë Zot, as nuk e lëshoj Izraelin.” 3 Por ata i thanë: “Hyji i hebrenjve na u dëftua. Të lutemi na lejo të shkojmë tri ditë udhë larg në shkretëtirë që t’i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, që të mos na vrasë rastësisht me murtajë ose me shpatë”. 4 Por mbreti i Egjiptit u tha: “Përse ti, Moisi e ti Aron, po doni ta ndani popullin prej punës së vet? Kthehuni në punët tuaja”! 5 Faraoni shtoi edhe: “Tani që ky popull është shumuar aq fort edhe kështu e ka mbushur dheun, çka do të ndodhë po qe se u jepni edhe pushim”?

Shpjegime kryepunëtorëve të punëve të rënda

6 Po atë ditë u dha urdhër mbikëqyrësve të popullit dhe shkruesve të punës: 7 “Që nga ky moment mos i jepni më popullit kashtë, por le të shkojë e ta mbledhë vetë për të prerë qerpiç. 8 Por ju kërkoni prej tij numër të njëjtë tullash si edhe deri tani. Mos e pakësoni numrin! Sillen kot, prandaj edhe bërtasin: Na lejo të shkojmë e t’i bëjmë fli Hyjit tonë! 9 Shtojauni punën e të dërmohen, që të mos kenë kohë të merren me punë të kota!”

10 Mbikëqyrësit e popullit dhe shkruesit dolën dhe i treguan popullit: “Kështu thotë faraoni: ‘Nuk ju jap kashtë! 11 Dilni e mblidheni vetë aty ku ta gjeni, por për atë gjë nuk do t’jua pakësoj punën’”. 12 Mbarë populli u shpërnda nëpër dheun e Egjiptit për të mbledhur byk. 13 Mbikëqyrësit u bërtitnin: “Bëni përditë po aq punë sa bënit më parë kur ju jepej kashta!” 14 Bijtë e Izraelit, ata që mbikëqyrësit e faraonit i vunë të regjistrojnë sasinë e punës, qenë frushkulluar. U thonin: “Pse nuk e plotësuat as dje as sot, numurin e tullave si më parë”?

Ankimi i shkruesve hebrenj

15 Izraelitët që regjistronin e panë se po e kishin punën pisk dhe shkuan e u ankuan te faraoni: “Përse po vepron kështu kundër skllevërve të tu? 16 Nuk u jepet byku e u urdhërohet të qesin po atë shumë tullash. Ja, madje edhe po i rrahin shërbëtorët e tu, kurse fajin e ka populli yt!” 17 Ai u përgjigj: “Ju jeni përtacë! Po, përtacë! Prandaj thoni: ‘Na lejo të shkojmë t’i bëjmë fli Zotit’!

18 Shkoni, pra, e punoni! Byku nuk do t’ju jepet e ju do të bëni shumën e rëndomtë të tullave!”

19 Shkruesit izraelitë po e shihnin se sa ngusht e kishin punën për shkak të urdhrit: ‘Për asnjë ditë nuk do t’u zvogëlohej numri i tullave!’. 20 Kur dolën prej faraonit takuan Moisiun dhe Aronin që po i prisnin 21 dhe u thanë: “Zoti paftë e gjykoftë! Ju bëtë që të na urrejë faraoni dhe ministrat e tij! Ju ia dhatë shpatën që të na vrasë”!

22 Moisiu iu drejtua Zotit dhe i tha: “O Zot, e pse po e mundon këtë popull? Përse më dërgove? 23 Sepse, që atë ditë që hyra te faraoni për të folur në emrin tënd, ai po e mundon popullin tënd e Ti nuk e çlirove”.

Dalja: 6. Tregim i ri i thirrjes së Moisiut

6

1 Zoti i tha Moisiut: “Tani do të shohësh çka do t’i bëj faraonit! Sepse, nën peshën e dorës së rëndë do t’i lëshojë dhe madje përdhunë do t’i dëbojë prej vendit të vet”!

Tregim i ri i thirrjes së Moisiut

2 Zoti foli me Moisiun e tha: “Unë jam Zoti, 3 që iu dëftova Abrahamit, Izakut e Jakobit si Hyj i gjithëpushtetshëm. Unë atyre nuk ua tregova emrin tim Zot. 4 Unë edhe bëra besëlidhje me ta se do t’ua jap dheun Kanaan ‑ tokën e çojave të tyre, në të cilën banuan si të huaj. 5 Unë e dëgjova dënesjen e izraelitëve, sepse egjiptianët i shtypën dhe m’u kujtua besëlidhja ime. 6 Prandaj thuaju bijve të Izraelit: Unë jam Zoti që do t’i nxjerr nga shtypja e egjiptianëve! Unë do t’ju shpëtoj nga skllavëria dhe do t’ju shpërblej me goditje të fuqishme, duke i ndëshkuar rëndë! 7 Juve do t’ju marr për popullin tim dhe do të jem Hyji juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Hyji juaj, kur do t’ju shpëtoj nga shtypja e egjiptianëve 8 dhe do t’ju fus në tokën, mbi të cilën u përbeva se do t’ia jap Abrahamit, Izakut e Jakobit. Unë, Zoti, do t’jua jap për pronë!”

9 Moisiu të gjitha këto ua tregoi bijve të Izraelit, por ata nuk ia vinin fare veshin, sepse ishin shpirtërisht tepër të ngushtuar nga puna tepër e rëndë. 10 E Zoti prapë i tha Moisiut: 11 ”Hyr dhe fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t’i lëshojë bijtë e Izraelit prej dheut të tij”!

12 Moisiu foli në praninë e Zotit: “Ja, as bijtë e Izraelit nuk më dëgjojnë, po si atëherë do të më dëgjojë faraoni, sidomos kur nuk jam gojëmbarë”? 13 Zoti foli përsëri me Moisiun e me Aronin dhe u urdhëroi të shkojnë njëherë te bijtë e Izraelit e pastaj te faraoni, mbreti i Egjiptit, për t’i nxjerrë izraelitët nga dheu i Egjiptit.

Breznitë e Moisiut e të Aronit

14 Këta janë zotët e shtëpive sipas familjeve të tyre. Bijtë e Rubenit, të të parëlindurit të Izraelit: Henoku, Faluu, Hesroni dhe Karmiu. Këto janë familjet e Rubenit.

15 Bijtë e Simonit: Jamueli, Jamini, Ahodi, Jakini, Soari dhe Sauli, biri i Kananeases. Këto janë familjet e Simonit.

16 Këta janë emrat e bijve të Levit sipas familjeve të tyre: Gersoni, Kaati dhe Merariu. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

17 Bijtë e Gersonit: Lobniu dhe Semeia sipas familjeve të tyre.

18 Bijtë e Kaatit: Amrami, Isaari, Hebroni, Ozieli. Kaati jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet.

19 Bijtë e Merariut: Moholiu dhe Musiu. Këto janë familjet e Levit sipas breznive të tyre.

20 Amrami e mori për grua Johabedën, emtën e vet. Ajo i lindi Aronin dhe Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

21 Bijtë e Isaharit: Koreu, Nefegu dhe Zehriu.

22 Bijtë e Ozielit: Misaeli, Elisafani dhe Setriu.

23 Aroni mori për grua Elizabetën, bijën e Aminadabit, motrën e Nahasonit. Kjo i lindi Nadabin, Abiun, Eleazarin dhe Itamarin.

24 Bijtë e Koreut: Asiri, Elkanai dhe Abiasafi. Kjo është familja e Koritajve.

25 Kurse Eleazari mori për grua një vajzë të Futielit, që i lindi Fineesin. Këta janë trungjet e familjeve të Levitajve, sipas barqeve të tyre.

26 Ky është ai Aroni dhe Moisiu, të cilëve u urdhëroi Zoti që t’i nxjerrin bijtë e Izraelit turma‑turma prej dheut të Egjiptit.

27 Këta janë ata që folën me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t’i nxjerrin bijtë e Izraelit prej Egjiptit: janë po ai Moisi dhe ai Aron.

Përsëritet tregimi i thirrjes së Moisiut

28 Kjo ndodhi atë ditë, kur Zoti i foli Moisiut në dheun e Egjiptit:

29 Zoti i tha Moisiut: “Unë jam Zoti! Thuaj faraonit, mbretit të Egjiptit, thuaj gjithçka po të them unë ty”. 30 Moisiu foli në praninë e Zotit: “Ja, unë nuk jam gojëmbarë! Si do të më dëgjojë faraoni”?

Dalja: 7. 3. SHUPLAKAT E EGJIPTIT. PASHKËT

7

1 Zoti i tha Moisiut: “Ja unë të bëra si hyjni për faraonin, kurse Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. 2 Ti thuaji krejt si po të urdhëroj unë; kurse Aroni t’ia thotë faraonit që t’i lërë të shkojnë prej dheut të tij bijtë e Izraelit. 3 Por unë do ta nguroj zemrën e tij dhe do t’i shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia kundër dheut të Egjiptit. 4 Dhe ai nuk do t’ju dëgjojë. Unë do ta shtrij dorën time mbi Egjiptin duke e dënuar rreptë, do ta nxjerr armatën time, popullin tim, bijtë e Izraelit prej dheut të Egjiptit. 5 Pasi ta kem shtrirë dorën time përmbi Egjipt dhe pasi t’i kem nxjerrë bijtë e Izraelit prej mesit të tyre, atëherë egjiptianët do ta marrin vesh se unë jam Zoti”.

6 Kështu Moisiu dhe Aroni bënë krejt si u tha Zoti: po ashtu vepruan. 7 Moisiu kishte tetëdhjetë vjet, kurse Aroni kishte tetëdhjetë e tri, kur folën me faraonin.

3. SHUPLAKAT E EGJIPTIT. PASHKËT

Shkopi i shndërruar në gjarpër

8 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 9 “Kur faraoni t’ju thotë: ‘Tregojeni shenjën!’ ti thuaj Aronit: ‘Merre shkopin tënd dhe hidhe para faraonit, dhe ai le të shndërrohet në shlligëz’!” 10 Si hynë, pra, Moisiu dhe Aroni, bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti: Aroni e hodhi shkopin para faraonit dhe ministrave të tij, dhe shkopi u shndërrua në gjarpër.

11 Atëherë faraoni i grishi të dijshmit dhe dijetarët; po edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e veta bënë po ashtu. 12 Edhe ata i hodhën shkopinjtë e vet dhe ata u shndërruan në gjarpërinjë; porse shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e tyre. 13 Por zemra e faraonit iu ngurua dhe nuk deshi t’i dëgjojë ata po ashtu si kishte thënë Zoti.

I. Uji i shndërruar në gjak

14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “E patrandshme është zemra e faraonit: nuk do të lëshojë të shkojë populli. 15 Shko në mëngjes tek ai. Ja, ai do të dalë tek uji. Qëndro ballë për ballë mbi breg të lumit. Merre në dorën tënde shkopin që u shndërrua në shlligëz 16 dhe thuaj: ‘Zoti Hyji i hebrenjve më dërgoi te ti e më tha: Ma lësho popullin tim që të më bëjë fli në shkretëtirë. Por ti deri tani nuk deshe të dëgjosh. 17 Pra, kështu thotë Zoti: Me këtë do ta dish se jam Zoti: ja, do t’i sjell me shkop që kam në dorë ujit të lumit: dhe ky do të shndërrohet në gjak! 18 Peshqit që janë në lumë do të ngordhin, ujërat do të qelben dhe egjiptianëve do t’u neveritet të pinë ujin e lumit”.

19 Zoti i tha Moisiut edhe: “Thuaj Aronit: Merre shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi përrenjtë, mbi kënetat dhe mbi të gjithë liqenet me ujë, që të shndërrohen në gjak. Kështu le të jetë gjak në mbarë dheun e Egjiptit, qoftë në enë druri qoftë në ato guri.” 20 Po kështu bënë Moisiu dhe Aroni si u kishte urdhëruar Zoti. E çoi lart shkopin, i ra ujit të lumit në praninë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij. Uji u shndërrua në gjak. 21 Peshqit që ishin në Lumë, ngordhën, mbarë lumi u qelb. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Lumit. Mbarë dheun e Egjiptit e kishte përfshirë gjaku.

22 Po kështu vepruan edhe dijetarët egjiptianë me shortitë e tyre. Zemra e faraonit u ngurua dhe s’i dëgjoi ata, po ashtu si kishte thënë Zoti. 23 U ktheu shpinën, hyri në shtëpinë e vet dhe për këtë punë as që e çau ndopak kokën. 24 Mbarë egjiptianët hapën pusa përbri Lumit për të pirë, sepse nuk mund ta pinin ujin e Lumit. 25 U mbushën shtatë ditë pasi Zoti shtriu dorën e i ra Lumit.

II. Bretkocat

26 Zoti i tha prapë Moisiut: “Hyr te faraoni dhe thuaj: ‘Kështu thotë Zoti: Lëshoje popullin tim të më flijojë! 27 Nëse nuk do ta lejosh të shkojë, ja, unë do ta ndëshkoj tërë dheun tënd me bretkoca. 28 Lumi do të vëlojë prej bretkocave, të cilat do të dalin dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde dhe në dhomën e shtratit tënd, madje përmbi shtratin tënd dhe në shtëpitë e ministrave të tu, në popullin tënd, në furrat e tua dhe në magjat e tua. 29 Bretkocat do të hyjnë te ti, në popullin tënd dhe te të gjithë shërbëtorët e tu’”.

Dalja: 8. III. Mushkonjat

8

1 Zoti i tha Moisiut: “Thuaj Aronit: ‘Shtrije dorën tënde me shkopin tënd përmbi lumenj, mbi përrenj dhe mbi këneta dhe nxirri bretkocat mbi dheun e Egjiptit’”. 2 Aroni e shtriu dorën përmbi ujërat e Egjiptit, bretkocat dolën dhe e mbuluan dheun e Egjiptit.

3 Bënë po ashtu edhe magjistarët me shortitë e tyre dhe i nxorën bretkocat përmbi dheun e Egjiptit. 4 Faraoni i thirri Moisiun e Aronin dhe tha: “Lutuni Zotit t’i heqë bretkocat prej meje dhe prej popullit tim dhe unë do ta lëshoj popullin t’i bëjë fli Zotit.” 5 Moisiu i tha faraonit: “Më trego kur duhet të lutem për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd që bretkocat të shporrën prej teje dhe prej shtëpisë sate e të qëndrojnë vetëm në Lumë”. 6 Ai iu përgjigj : “Nesër”! Atëherë Moisiu i tha: “Do të bëj siç po thua, që ta dish se s’ka porsi Zoti, Hyji ynë! 7 Bretkocat do të shporrën prej teje dhe prej shtëpisë sate, prej shërbëtorëve të tu dhe prej popullit tënd, dhe do të qëndrojnë vetëm në Lumë”. 8 Moisiu dhe Aroni dolën prej faraonit. Moisiu iu lut Zotit lidhur me lidhur me bretkocat që i kishte derguar faraonit. 9 Zoti bëri ashtu si tha Moisiu dhe bretkocat ngordhën nëpër shtëpi, oborre dhe ara. 10 I mblodhën në grumbuj të mëdhenj dhe toka u qelb. 11 Kur faraoni pa se u qetësua puna, prapë e nguroi zemrën dhe nuk i dëgjoi, e bëri ashtu si kishte thënë Zoti.

III. Mushkonjat

12 Zoti i tha Moisiut: “Thuaj Aronit: ‘Shtrije shkopin tënd dhe bjeri pluhurit të tokës dhe të shndërrohet në mushkonja në mbarë dheun e Egjiptit’”! 13 Bënë ashtu, Aroni e shtriu dorën në të cilën kishte shkopin dhe i ra pluhurit të tokës, i cili u shëndrua në mushkonja mbi njerëz dhe mbi bagëti. I tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në mbarë dheun e Egjiptit.

14 Po ashtu bënë edhe shortarët me shortitë e tyre për t’i përftuar mushkonjat, por nuk qenë në gjendje. Mushkonjat i mësynë: qoftë njerëzit, qoftë bagëtitë. 15 Shortarët i thanë faraonit: “Ky është gishti i Hyjit”! Por zemra e faraonit u gurua prapë dhe nuk i dëgjoi ata, ashtu si kishte thënë Zoti.

IV. Grethat

16 Zoti i tha prapë Moisiut: “Çohu heret në mëngjes dhe dil para faraonit. Kur të dalë tek uji ti thuaji: ‘Kështu thotë Zoti: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli! 17 Por në qoftë se nuk do ta lëshosh, ja, unë do të çoj në ty dhe në shërbëtorët e tu, në popullin tënd, në familjen tënde çdo lloj grethash. Shtëpitë e egjiptianëve do të mbushen me gretha, po ashtu edhe trualli ku ata të qëndrojnë. 18 Po atë ditë do ta veçoj dheun Gesen, ku banon populli im. Aty nuk do të ketë gretha dhe do ta dish se unë jam i vetmi Zot në mes të tokës. 19 Do të bëj dallim ndërmjet popullit tim dhe popullit tënd: nesër do të ndodhë kjo shenjë’”.

20 Zoti bëri po ashtu. Dhe u sulën gretha të mëdhenj në shtëpitë e faraonit dhe të shërbëtorëve të tij, në mbarë dheun e Egjiptit. Mbarë vendi u shkretua nga ata gretha.

21 Faraoni çoi e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: “Shkoni e flijoni Hyjit tuaj, por në këtë vend”! 22 Moisiu i tha: “S’është e mundur kështu! Sepse, çka i flijojmë ne Zotit, Hyjit tonë, është shenjtdhunim për egjiptianët. Nëse ne do të flijonim ato kafshë që egjiptianët i adhurojnë, do të na vrisnin me gurë. 23 Do të largohemi tri ditë udhë larg në shkretëtirë dhe atje do t’i flijojmë Zotit, Hyjit tonë, ashtu si na ka urdhëruar”. 24 Atëherë faraoni tha: “Unë po ju lëshoj të shkoni e t’i flijoni Zotit, Hyjit tuaj, në shkretëtirë, por mos shkoni tepër larg e lutuni edhe për mua”. 25 Moisiu tha: “Si të dal prej teje, do t’i lutem Zotit dhe grethat do të largohen nesër prej faraonit, prej shërbërorëve të tij, prej popullit të tij. Porse, vërja mirë mendjen e mos gënje më, por lejoje popullin të shkojë e t’i flijojë Zotit”! 26 Si doli Moisiu prej faraonit, iu lut Zotit. 27 Zoti bëri si kërkoi Moisiu dhe grethat u shporrën prej faraonit, prej ministrave të tij dhe prej popullit të tij: nuk mbeti asnjë për be! 28 Por u gurua prapë zemra e faraonit, kështu as kësaj herë nuk e lëshoi popullin.

Dalja: 9. V. Ngordhje bagëtish

9

1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Hyr te faraoni dhe thuaj: ‘Këto thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli! 2 Në qoftë se edhe këtë herë e ndalon të shkojë, 3 ja, dora e Zotit do të rëndojë fort mbi pasurinë tënde që është në ara, një ngordhje e madhe mbi kuajt, gomarët, devet, lopët e delet ‑ gjetë e imëta e të trasha. 4 Zoti do të bëjë dallim mes pasurisë së Izraelit dhe pasurisë së Egjiptit: asnjë gjë nuk do të dëmtohet prej atyre që u përkasin bijve të Izraelit. 5 Zoti e caktoi edhe kohën duke thënë: ‘Zoti do ta çojë nesër këtë fjalë në vend mbi këtë dhe’”.

6 Të nesërmen Zoti e çoi në vend fjalën: e mbarë gjëja e gjallë e egjiptianëve ngordhi, kurse prej bagëtive të bijve të Izraelit nuk cofi asnjë frymë. 7 Faraoni dërgoi njerëzit të shohin: dhe ja, asnjë këmbë berri nuk kishte cofur prej bagëtive të bijve të Izraelit. Por, prapë, u gurua zemra e faraonit dhe nuk lejoi të shkojë populli.

VI. Çibanët

8 Zoti i tha Moisiut e Aronit: “Mbushni grushtat me hi furre dhe Moisiu ta hedhë në ajër në praninë e faraonit, 9 dhe pluhuri le të përhapet mbi mbarë dheun e Egjiptit. Ky do t’u shkaktojë çibanë e lunga njerëzve dhe kafshëve në mbarë dheun e Egjiptit”.

10 Morën hi prej furrës dhe i dolën para faraonit. Moisiu i dha krah në qiell. Atëherë të thatët dhe fshikëzat u përhapën ndër njerëz dhe bagëti. 11 As dijetarët nuk mundën t’i dalin Moisiut para, sepse edhe dijetarët si egjiptianët e tjerë, dhe mbarë dheun e Egjiptit i mbërthyen të thatët. 12 Zoti ia nguroi zemrën faraonit dhe nuk i dëgjoi ata, po ashtu sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut.

VII. Breshri

13 Zoti i tha Moisiut: “Çohu heret në mëngjes dhe dil para faraonit e thuaj: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli! 14 Sepse këtë herë do t’i çoj të gjitha të këqijat mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që ta dish se në mbarë botën nuk është askush si unë. 15 Po ta kisha ngritur dorën time që në fillim për të ndëshkuar ty dhe popullin tënd me murtajë, deri në këtë çast kishe qenë i shfarosur prej sipërfaqes së tokës. 16 Përkundrazi, unë të kam ruajtur që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe kështu të flitet për emrin tim mbi mbarë tokën. 17 Ende po e ndal popullin tim dhe nuk po do ta lëshosh? 18 Ja, nesër, po në këtë orë, do të bëj të bjerë breshër tepër i madh, sa që i tillë nuk ka qenë në Egjipt që prej themelimit të tij e deri në ditën e sotme! 19 Që tani, pra, dërgo e bashko të gjitha bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë; sepse, mbi të gjithë njerëzit dhe bagëtitë që do të jenë përjashta dhe të mos jenë të tubuara prej fushës, do të bjerë breshri dhe do të vdesin”.

20 Ai që prej shërbëtorëve të faraonit e druajti fjalën e Zotit, i mblodhi shërbëtorët e vet dhe bagëtitë në shtëpi, 21 kurse ata që nuk e çanë kokën për fjalën e Zotit, i lanë shërbëtorët e vet dhe bagëtinë në fushë.

22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ço dorën tënde drejt qiellit që të bjerë breshër mbi mbarë dheun e Egjiptit: mbi njerëz, mbi bagëti dhe mbi çdo bimë fushe në dheun e Egjiptit”.

23 Moisiu e drejtoi shkopin drejt qiellit dhe Zoti çoi gjëmë e breshër e rrufetë lëruan tokën dhe Zoti bëri të bjerë breshër mbi dheun e Egjiptit. 24 Binte breshër e njëkohësisht rrufetë çanin qiellin! Aq qe i madh, sa që i tillë kurrë nuk u pa më parë mbi mbarë dheun e Egjiptit, që kur atij populli iu zu fara!

25 Breshri rrënoi gjithçka u gjet përjashta në mbarë dheun e Egjiptit, prej njeriut e deri në bagëti. Breshri rrënoi edhe mbarë bimët e fushës; rrënoi deri edhe çdo lëndë në atë vend.

26 Vetëm në tokën Gesen, ku banonin bijtë e Izraelit, nuk ra breshër.

27 Atëherë faraoni e thirri Moisiun dhe Aronin e u tha: “Këtë herë po e shoh se bëra mëkat! Zoti është i drejtë, kurse unë dhe populli im jemi fajtorë. 28 Lutuni Zotit që të pushojnë gjëmët e Hyjit dhe breshri dhe do t’ju lëshoj të shkoni e nuk do t’ju ndal më këtu”. 29 Moisiu tha: “Kur të dal prej qytetit, do t’i çoj duart lart drejt Zotit, do të pushojnë gjëmët e tija dhe nuk do të bjerë më breshër që ta dish se toka është e Zotit. 30 Porse, sa për ty dhe shërbëtorët e tu e di se ende nuk e druani Zotin Hyj”. 31 Liri dhe elbi u dëmtuan, sepse elbi kishte qitur kallëz e liri kishte qitur lule. 32 Nuk u dëmtuan gruri as thekra, sepse ishin të vona.

33 Kur Moisiu u largua prej faraonit dhe prej qytetit, i çoi duart lart kah Zoti, pushuan gjëmët dhe breshri dhe as shi nuk ra më mbi tokë. 34 Faraoni pa se kishte pushuar shiu, breshri e gjëmët dhe vazhdoi të mëkatojë. 35 Zemra e tij dhe zemra e shërbëtorëve të tij u gurua për së tepërmi dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit, ashtu si e kishte folur Zoti me anë të Moisiut.

Dalja: 10. VIII. Karkalecat

10

1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Hyr te faraoni! Unë e bëra gur zemrën e tij e zemrën e shërbëtorëve të tij që t’i bëj ndër ta këto mrekulli të mia, 2 që të mund t’ia tregosh djalit tënd dhe nipave të tu sa herë i shtrëngova egjiptianët e sa mrekulli bëra kundër prej tyre, që ta dini se unë jam Zoti”.

3 Hynë, pra, Moisiu dhe Aroni te faraoni dhe i thanë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: ‘Deri kur nuk do të më nënshtrohesh? Lëshoje popullin tim të më bëjë fli! 4 Por nëse kundërshton dhe nuk do ta lëshosh: ja, unë nesër do t’i sjell karkalecat brenda kufijve të tu. 5 Ata do ta mbulojnë sipërfaqen e tokës aq sa as trualli nuk do të shihet: do të përpijnë gjithçka që mbeti pas breshrit; do t’i zhveshin të gjitha lëndët që bulojnë në fushë. 6 Do t’i mbushin shtëpitë e tua, shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe të të gjithë egjiptianëve, një mori që kurrë nuk e panë as etërit dhe të parët e tu, që kur u zu froni i tyre e deri në ditën e sotme’”. Ia ktheu shpinën dhe doli prej faraonit.

7 Faraonit i thanë shërbëtorët e tij: “Deri kur do ta durojmë këtë kurth? Lëshoj njerëzit t’i bëjnë fli Zotit, Hyjit të tyre! A nuk po sheh se do të mbarojë Egjipti”?

8 Çuan dhe i thirrën Moisiun e Aronin. Faraoni u tha: “Shkoni e flijoni Zotit, Hyjit tuaj! Kush janë ata që duhet të shkojnë”? 9 Moisiu tha: “Do të shkojmë me fëmijët dhe me pleqtë tanë: me djem e me vajza, me bagëti të imëta e me bagëti të trasha: ne kemi festën e Zotit”! 10 Ai u përgjigj: “Ashtu e paçi në ndihmë Zotin, siç do t’ju lëshoj unë të shkoni me fëmijët tuaj! Kush dyshon se ju nuk mendoni zi e më zi? 11 Jo, s’do të bëhet ashtu! Por, shkoni vetëm ju burrat e bëni fli Zotit! Po këtë ju edhe vetë e kërkuat”. Dhe menjëherë i qitën jashtë prej pranisë së faraonit.

12 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën tënde mbi Egjipt që të vijnë karkalecat, ta mbulojnë atë dhe le ta hanë krejt barin: gjithçka shpëtoi prej breshrit”. 13 Moisiu e shtriu shkopin përmbi dheun e Egjiptit dhe Zoti e solli erën e ngrohtë gjithë ditën e gjithë natën. Kur zbardhi drita, era djegëse i ngrehi në ajër karkalecat. 14 Ata e mbuluan skaj më skaj mbarë dheun e Egjiptit dhe u lëshuan me shumicë të atillë që s’qenë parë deri në atë kohë dhe nuk do të shihen as në të ardhmen. 15 E mbuluan tërë sipërfaqen e tokës dhe e nxinë tokën. Kështu, pra, e përpinë të gjithë barin e tokës, të gjitha frutat e pemëve që kishin shpëtuar prej breshrit: nuk shpëtoi asgjë e blertë as në lëndë as në bar në mbarë dheun e Egjiptit.

16 Për këtë arsye faraoni thirri me nxitim Moisiun e Aronin dhe u tha: “Mëkatova kundër Zotit, Hyjit tuaj, dhe kundër jush! 17 Por, tani ma falni mëkatin edhe këtë herë dhe lutuni Zotit, Hyjit tuaj, të ma heqë së paku këtë shuplakë vdekjeprurëse”. 18 Moisiu, si u largua prej faraonit, iu lut Zotit, 19 i cili çoi një erë shumë të fortë prej perëndimit që i përmblodhi karkalecat dhe i hodhi në Detin e Kuq: s’mbeti as edhe një në mbarë dheun e Egjiptit. 20 Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ky nuk i lëshoi bijtë e Izraelit.

IX. Errësirat

21 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Çoje dorën tënde drejt qiellit dhe le të bjerë terri mbi dheun e Egjiptit, terr aq i dendur sa të mund të preket!” 22 Moisiu e çoi dorën drejt qiellit dhe ra një errësirë e tmerrshme për tri ditë rresht mbi mbarë dheun e Egjiptit. 23 Askush nuk mundi ta shohë askënd për tri ditë dhe askush s’luajti për ato ditë prej vendit. Kurse, gjithkund ku banonin bijtë e Izraelit, ishte dritë!

24 Atëherë faraoni e thirri Moisiun e Aronin dhe u tha: “Shkoni e bëni fli Zotit! Lini vetëm bagëtitë e imëta e të trasha, kurse fëmijët tuaj, le të vijnë me ju”! 25 Moisiu i tha: “Po edhe të na i jepshe ti kushtet dhe flitë e shkrumbimit për t’ia kushtuar Zotit, Hyjit tonë, 26 megjithatë edhe grigjat tona duhet të vijnë me ne. Nuk do të mbetë prej tyre asnjë këmbë e vetme berri, sepse prej tyre do të marrim, sa është e domosdoshme për kultin e Zotit, Hyjit tonë. Aq më tepër kur nuk dimë se çka duhet të flijohet, derisa të arrimë në vendin e caktuar”.

27 Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe ai nuk deshi t’i lëshojë.

28 Atëherë faraoni i tha: “Largohu këndej! Ruaju se më del më para sysh! Kurdo që do të marrësh guxim të dalësh para meje, do t ë vdesësh”!

29 Moisiu iu përgjigj: “Mirë e ke! S’do ta shoh më kurrë fytyrën tënde”!

Dalja: 11. Lajmërimi i vdekjes së të parëlindurve

11

1 Zoti i tha Moisiut: “Vetëm edhe me një plagë do ta godas faraonin e Egjiptin, atëherë po se do t’ju lërë të shkoni, madje edhe do t’ju shtrëngojë të dilni. 2 Prandaj thuaj mbarë popullit që secili njeri të kërkojë prej të afërmit të vet dhe secila grua prej të afërmes së saj enë argjendi dhe ari.

3 Vetë Zoti do të bëjë që egjiptianët të kenë ndjenja të mira ndaj popullit të Izraelit. Po edhe vetë Moisiu ishte njeri shumë i madh në dheun e Egjiptit në sy të ministrave të faraonit dhe të mbarë popullit.

4 Moisiu atëherë kumtoi: “Kështu thotë Zoti: ‘Rreth mesnate do t’i bie anembanë Egjiptit. 5 Do të vdesë çdo i parëlindur në dheun e Egjiptit: prej të parëlindurit të faraonit që rri në fronin e tij deri tek i parëlinduri i shërbëtores që është pranë mokrës edhe të gjithë të parëlindurit e bagëtive. 6 Do të bëhet një gjëmë tejet e madhe në dheun e Egjiptit, aq e madhe saqë e tillë nuk qe më parë, as nuk do të ngjasë më vonë. 7 Kurse ndër bijtë e Izraelit nuk do të lehë qen as në njeri as në bagëti që ta dini se me ç’mrekulli të madhe do t’i ndajë Zoti egjiptianët prej izraelitëve. 8 Atëherë do të zbresin tek unë të gjithë këta shërbëtorë të tu dhe do të përkulen para meje e do të thonë: ‘Dil ti dhe populli që të ndjek. ‘Atëherë unë do të dal’”! Moisiu i zemëruar për së tepërmi doli prej faraonit.

9 Zoti i tha Moisiut: “Faraoni nuk do t’ju dëgjojë, për t’u shumuar mrekullitë e mia në dheun e Egjiptit”. 10 Moisiu e Aroni i kishin bërë të gjitha këto mrekulli në sy të faraonit. Por Zoti e guroi zemrën e faraonit dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit prej dheut të vet.

Dalja: 12. Pashkët

12

1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: 2 “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. 3 Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thojuni: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. 4 Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. 5 Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. 6 Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: atëherë, në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. 7 Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. 8 Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. 9 Prej qengjit mos hani asgjë prej mishit të gjallë, as të zier me ujë, por vetëm të pjekur në zjarr: me kokë, këmbë e zorrë. 10 Dhe të mos mbetet asgjë prej tij deri në mëngjes. Po qe se teproi gjë, le të digjet në zjarr. 11 Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët /d. m. th. kalimi i/ e Zotit! 12 Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti ! 13 Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë farosjeje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. 14 Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.

E kremtja e të pabrumeve

15 Për shtatë ditë hani bukë të pabrumë.

Që ditën e parë hiqeni brumin prej shtëpive tuaja. E cilido të hajë bukë të mbrume prej të parës ditë deri të shtatën ‑ ai njeri do të zhduket prej Izraelit.

16 Ditën e parë do të mbani mbledhje shenjte.

Po edhe të shtatën ditë do të bëni ashtu.

Ndër këto ditë s’guxoni të bëni kurrfarë pune, por keni leje të përgatitni çka lypet për ushqimin e secilit.

17 Festojeni të kremten e të pabrumeve, sepse atë ditë e nxora ushtrinë tuaj prej dheut të Egjiptit. Mbajeni këtë ditë brez pas brezi si festë të përhershme. 18 Të parin muaj, të katërmbëdhjetën ditë të muajit, prej mbrëmjes, hani bukë të pabrumë deri në ditën e njëzetenjëtë të të njëjtit muaj, në mbrëmje.

19 Për shtatë ditë brumë nuk do të gjendet në shtëpitë tuaja. Kush do të hajë bukë të mbrumë, ai njeri do të zhduket prej bashkësisë së Izraelit, qoftë i ardhur ose i lindur në vend. 20 S’guxoni të hani asgjë të mbruar. Në çdo vend, ku ju të banoni, do të hani bukë të pabrume”.

Rregullore lidhur me Pashkët

21 Moisiu i bashkoi të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit dhe u tha: “Shkoni e merrni një bagëti të imët për familjet tuaja dhe flijoni për Pashkë. 22

Tubëzën e hisopit ngjyjeni me gjakun që është në enë dhe stërpikni me të ballëzinën dhe dy shtalkat. Askush prej jush të mos dalë jashtë derës së vet deri në mëngjes. 23 Sepse Zoti do të kalojë për të goditur Egjiptin e, kur të shohë gjakun në ballëzinë dhe në të dy shtalkat, do ta kalojë derën dhe nuk do ta lërë shfaruesin të hyjë në shtëpitë tuaja e të godasë. 24 Mbajeni këtë rregullore porsi ligj të përhershëm për ju dhe për fëmijët e tu.

25 Edhe kur të hyni në tokën, që Zoti do t’jua japë juve, siç ka premtuar, mbajeni këtë sjellje.

26 E kur fëmijët tuaj t’ju pyesin: ‘Çdo të thotë për ju ky vit’? 27 u thoni: ‘Është flia e Pashkëve në nder të Zotit, kur i shkapërceu familjet e bijve të Izraelit në Egjipt, kurse egjiptianët i goditi, e familjet tona i shpëtoi’”.

Populli ra përmbys përdhe dhe adhuroi.

28 Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan siç u kishte urdhëruar Zoti i Moisiut e Aronit.

X. Vdekja e të parëlindurve

29 Në mesnatë Zoti goditi çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit, prej të parëlindurit të faraonit, që rrinte në fronin e tij, deri në të parëlindurin e të burgosurit që ishte në burg dhe çdo të parëlindur të çdo bagëtie. 30 Faraoni dhe të gjithë shërbëtorët e tij u çuan natën ‑ u çua mbarë Egjipti ‑ sepse plasi një vigmë e madhe në Egjipt! S’kishte shtëpi pa të vdekur! 31 Faraoni e thirri natën Moisiun dhe Aronin e u tha: “Çohuni e dilni prej popullit tim ju dhe bijtë e Izraelit! Shkoni dhe flijoni Zotit sikurse thoni! 32 Merrni, si kërkuat, bagëtitë e imëta e të trasha! Nisuni dhe më bekoni”! 33 Egjiptianët e nxitnin popullin e Izraelit të dalë sa më shpejt prej vendit. Thonin: “s’do të mbesë kush gjallë”! 34 Populli mori edhe brumin para se të mbruhej e, duke i mbështjellë magjet me petka, i vunë në krah.

Izraelitët ua marrin pasurinë egjiptianëve

35 Bijtë e Izraelit bënë siç u kishte urdhëruar Moisiu: kërkuan prej egjiptianëve enë argjendi, ari dhe petka të shumta. 36 Zoti ua zbuti zemrën egjiptianëve ndaj izraelitëve dhe ata u jepnin gjithë ç’kërkonin. Kështu izraelitët i bënë pre egjiptianët.

Dalja e izraelitëve prej Egjiptit

37 Izraelitët u nisën prej Ramsesit në drejtim të Sukotit. Ishin rreth gjashtëqind mijë këmbësorë pa (numëruar) fëmijët. 38 Me ta u nis një shumicë e panumërt prej fiseve të tjera si edhe bagëti të imëta e të trasha të shumta në masë. 39 Poqën brumin që e kishin marrë prej Egjiptit të pabrumë dhe i poqën kuleçtë e pabrumë: në të vërtetë s’patën kohë ta mbrumin, sepse egjiptianët i shtrëngonin të dalin e nuk i linin të presin. As ushqimet që lypen për udhëtim s’patën kur t’i përgatisin.

40 Bijtë e Izraelit qëndruan në Egjipt katërqind e tridhjetë vjet. 41 Si u plotësua kjo kohë, po atë ditë, e tërë ushtria e Zotit doli prej dheut të Egjiptit. 42 Kjo natë është natë vigjilie në nder të Zotit, kur Zoti i nxori nga dheu i Egjiptit: të gjithë bijtë e Izraelit duhet ta kremtojnë si natë vigjilie në nder të Zotit brez pas brezi.

Rregullore lidhur me Pashkët

43 Zoti i tha Moisiut e Aronit:

“Ky është riti i Pashkëve:

‑ Asnjë i huaj s’guxon ta hajë.

44 ‑ Çdo skllav i blerë: më parë të rrethpritet e pastaj të hajë.

45 Mysafiri dhe mëditësi nuk guxojnë të hanë prej qengjit të Pashkëve.

46 ‑ Do të hahet vetëm në një shtëpi.

‑ Ruaj se e qet mishin e Pashkëve jashtë dhe ruaj se i then asht. 47 ‑ Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit duhet ta kremtojë.

48 ‑ Po qe se ndokush i huaj do të jetojë me ju dhe, nëse do të bëjë Pashkë, më parë le të rrethpritet çdo anëtar i tij mashkull dhe, vetëm atëherë, mund ta kremtojë rregullisht: atëherë do të jetë si një vendas i juaji. Kush nuk është i rrethprerë, të mos hajë nga flia e Pashkëve.

49 Duhet të jetë ligji i njëjtë për vendasin dhe për ardhacakun që banon ndër ju”.

50 Të gjithë bijtë e Izraelit bënë ashtu sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut e Aronit.

51 Pikërisht këtë ditë Zoti i nxori bijtë e Izraelit sipas turmave të tyre prej dheut të Egjiptit.

Dalja: 13. Të parëlindurit dhe të Pabrumet

13

1 Zoti i tha Moisiut: 2 “Ndaje për mua çdo të parëlindur ‑ frytin e parë të kraharorit të nënës së bijve të Izraelit, qoftë të njerëzve qoftë të kafshëve shtëpiake: mua më përkasin”!

3 Atëherë Moisiu i tha popullit: “Mbajeni mend këtë ditë, në të cilën dolët prej Egjiptit ‑ prej shtëpisë së skllavërisë! Sepse Zoti ju nxori me dorën e vet të fortë prej atij vendi: ruhuni se hani bukë të mbrume! 4 Sot ju po dilni prej Egjiptit, në muajin e Abibit /d. m. th. Të Frutave të para/.

5 Atëherë, kur Zoti të bëjë të hysh në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Heveut dhe të Jebuseut, që me përbetim u zotua etërve të tu se do ta japë ty, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë,

‑ në këtë muaj kremtoje këtë rit të shenjtë:

6 Për shtatë ditë ha bukë të pabrumë.

Të shtatën ditë le të jetë festë në nder të Zotit .

7 Për shtatë ditë hani bukë të pabrumë:

‑ të mos ketë te ti assesi bukë të mbrume

‑ dhe të mos shihet askund në kufijtë e tu brumë!

8 ‑ Mësoje fëmijën tënd atë ditë e thuaj:

‘Bëj kështu për atë që Zoti bëri për mua kur dola prej dheut të Egjiptit.’

9 ‑ Kiji porsi shenjë në dorën tënde, porsi përmendore ndër sy të tu në mënyrë që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në gojën tënde. Sepse Zoti të nxori prej Egjiptit me dorë të fuqishme!

10 ‑ Zbatoje këtë rit vjet për vjet në kohën e caktuar”!

Prapë për të parëlindurit

11 “Kur Zoti të fusë në dheun e Kananeut, siç t’u përbe ty dhe etërve të tu, dhe ta ketë dhënë, 12 ndaje për Zotin çdo të parëlindur të kraharorit të nënës, dhe pjellën e parë të bagëtive: e ç’të jetë mashkull: kushtoja Zotit. 13 Zogun e gomarit shpaguaje me një kokë berri. Nëse nuk e shpërblen, mbyte! Çdo të parëlindur njeriu të bijve të tu shpërbleje!

14 E kur yt bir të pyesë nesër: ‘Pse kështu?’ ‑ u përgjigj: ‘Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit ‑ prej shtëpisë së skllavërisë. 15 Sepse, kur u gurua faraoni e nuk deshi të na lëshojë, Zoti i vrau të gjithë të parëlindurit e dheut të Egjiptit ‑ prej të parëlindurve të njerëzve deri te të parëlindurit e bagëtive. Prandaj ia kushtoj Zotit çdo fryt të parë të kraharorit të nënës që është mashkull dhe i shpërblej të gjithë të parëlindurit e bijve të mi. 16 Ky rit le të shërbejë si shenja përkujtuese në dorë, porsi jetulla ndër sytë tu se Zoti na nxorri me dorë të fuqishme prej dheut të Egjiptit”.

4. DALJA NGA EGJIPTI

Të nisurit e izraelitëve

17 Kur faraoni e lëshoi popullin të shkojë, Hyji nuk i priu drejt dheut të filistenjve, edhe pse rruga ishte më e shkurtër, duke menduar se ndoshta populli do të pendohet kur të shohë se do t’i duhet të luftojë dhe do të kthehet në Egjipt. 18 Por i solli udhës së shkretëtirës, që është në drejtim të Detit të Kuq. Bijtë e Izraelit, të armatosur mirë, dolën prej dheut të Egjiptit.

19 Moisiu i mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky i kishte përbetuar bijtë e Izraelit duke u thënë: “Hyji do t’ju vijë patjetër në pasi. Merrni prej këndej me vete eshtrat e mi”.

20 Ata u nisën prej Sukotit dhe ngulën zemërimiën në Etam, në skaj të shkretëtirës. 21 Vetë Zoti shkonte para tyre për t’u dëftuar rrugën, ditën në shtyllë reje e natën në shtyllë zjarri që t’u printe ditën e natën. 22 Popullit kurrë nuk iu zhduk ditën shtylla e resë e natën shtylla e zjarrit.

Dalja: 14. Prej Etamit deri te Deti i Kuq

14

1 Zoti i tha Moisiut: 2 “Thuaju bijve të Izraelit le të kthehen dhe le të ngulin zemërimiën para Fihahirotit që është ndërmjet Magdolit dhe detit përballë Beelsefonit. Përballë tij zini vend në breg të detit. 3 Faraoni do të mendojë për bijtë e Izraelit: ‘Po enden këndej andej; i ka zënë në kocë shkretëtira’! 4 Do t’ia nguroj zemrën dhe ai do t’i ndjekë dhe do ta dëftoj madhërinë time në faraonin dhe në mbarë ushtrinë e tij. Do ta shohin egjiptianët se unë jam Zoti.” Ata bënë ashtu.

Egjiptianët ndjekin izraelitët

5 E lajmëruan mbretin e egjiptianëve se populli ishte larguar. Atëherë faraoni dhe ministrat e tij ndërruan mendimin lidhur me popullin e Izraelit dhe thanë: “Çfarë bëmë ashtu? I lamë të shkojnë izraelitët e të mos na shërbejnë!”

6 I mbrejti kuajt në karrocë dhe e mori popullin e vet me vete. 7 Mori gjashtëqind karroca të zgjedhura dhe të gjitha karrocat e Egjiptit me luftëtarë në çdo karrocë lufte. 8 Zoti e nguroi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe i përndoqi bijtë e Izraelit, që kishin dalë me dorë të lartësuar. 9 Egjiptianët i ndoqën dhe i hetuan të zemërimiuar në bregun e detit. Arritën kuajt e karrocat e faraonit, kalorësit dhe ushtritë e tij në Fihahirot, përballë Beelsefonit.

10 Si po afrohej faraoni, bijtë e Izraelit i çuan sytë dhe i panë egjiptianët se po i ndjekin. U trembën për së tepërmi dhe e thirrën në ndihmë Zotin. 11 Moisiut i thanë: “Vallë, a nuk kishte varreza në Egjipt që na solle të vdesim në shkretëtirë? Po përse bëre kështu që na nxore nga Egjipti? 12 A nuk po del tani fjala që ta thonim në Egjipt: ‘Na u hiq qafe! Do t’u shërbejmë egjiptianëve! Ishte shumë më mirë t’u shërbejmë atyre se të vdesim në shkretëtirë”. 13 Por Moisiu i tha popullit: “Mos kini frikë! Ngulni e shikoni se si sot do t’ju shpëtojë Zoti! Unë po ju them, këta egjiptianë që ju sot po i shikoni, kurrë e për këtë jetë s’do t’i shihni më! 14 Për ju do të luftojë Zoti! Mos u shqetësoni”!

Kalimi i detit

15 Zoti i tha Moisiut: “Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! 16 Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë përmes detit nëpër terik. 17 Unë do t’ua guroj zemrën egjiptianëve që t’ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. 18 Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij”.

19 Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. 20 Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t’i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën.

21 Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë. 22 Bijtë e Izraelit hynë përmes detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. 23 Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në mes të detit. 24 Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, 25 ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: “Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh”!

26 Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre”.

27 Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, heret, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në mes të detit.

28 Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S’shpëtoi prej tyre as një për be! 29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar mes të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre.

30 Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit 31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.

Dalja: 15. Kënga e ngadhënjimit

15

1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë:

“Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu:

kalë e kalorës

plandosi në fund t’detit!

2 Zoti është forca dhe fuqia ime,

Ai, veç Ai, më shpëtoi!

Ai është Hyji im,

Atë lavdëroj!

Është Hyji i atit tim:

Atë e lartësoj!

3 Zotin askush s’e mund,

Jahve emrin e ka!

4 Qerre e ushtri të faraonit

në det i plandosi!

Luftëtarët e tij të zgjedhur

Deti i Kuq i mbuloi!

5 Pellgu i përpiu,

humbën si spata në pus!

6 E djathta jote, o Zot,

fuqi e tmerrueshme:

e djathta jote

e goditi armikun!

7 Madhëria jote

i shpartallon kundërshtarët;

i lëshon fre hidhërimit

dhe i përpin si bykun!

8 Me frymën e fëlgrimit tënd

ujërat u bashkuan:

pendë u bënë

valët shkumuese,

thellësitë u ngurën

në fundin e detit”!

9 Thoshte armiku:

“I sulem pas, do ta zë;

do ta ndaj prenë;

shpirti do të më ngopet,

do të vringëlloj shpatën,

dora ime do t’i vrasë”!

10 I fryve detit

e deti i mbuloi!

U zhdukën si plumbi

në ujërat e përfrigueshme!

11 Kush është si Ti

ndër zota, o Zot!?

Kush është si Ti,

i madhërueshëm në shenjtëri,

i tmerrshëm dhe i lavdishëm,

që bën mrekulli!?

12 Ti shtrive dorën,

toka i përpiu!

13 Hiri yt e përcolli këtë popull

që Ti e shpërbleve;

i prin me fuqinë tënde

në banesën tënde të shenjtë.

14 Dëgjuan popujt dhe u dridhën,

rrëqethjet i kapën banorët e Filistesë!

15 U tmerruan atëherë prijësit e Edomit,

mornicat i kapën trimat e Moabit,

u dridhën të gjithë banorët e Kanaanit!

16 Frikë e tmerr

mbi ta u vërsul;

prej madhërisë së krahut tënd

shtangohen, bëhen gur,

deri të kalojë populli yt, o Zot,

deri të kalojë ky, populli yt,

që është prona jote!

17 Do ta shtish dhe do ta mbjellësh

në malin e trashëgimit tënd,

në banesën tënde të përhershme,

që ti vetë e përgatite, o Zot,

shenjtërore, o Zot,

me duar të tua të përftuar!

18 Zoti do të sundojë

përgjithmonë e mot të jetës”!

19 Sepse, si hynë kuajt e faraonit me karroca e me kalorësit e tij në det, Zoti i ktheu mbi ta ujërat e detit, kurse bijtë e Izraelit kaluan nëpër terik!

20 Atëherë Maria profeteshë, motra e Aronit, mori dajren në dorën e vet; pastaj dolën të gjitha gratë me dajre e filloi vallja! 21 Maria po i printe këngës:

“Le t’i këndojmë Zotit,

sepse mrekullisht ngadhënjeu:

kalë e kalorës

plandosi në fund të detit”!

Dalja: 16. Mana dhe shkurtat

16

1 Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bënë çojën edhe prej Elimit dhe erdhi në shkretëtirën e Sinit, që gjendet ndërmjet Elimit dhe Sinait. Ishte e pesëmbëdhjeta ditë e të dytit muaj pasi kishin dalë prej dheut të Egjiptit.

2 Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë. 3 I thonin njëri‑tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia”?!

4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecin në ligjin tim apo jo. 5 Të gjashtën ditë, kur të përgatisin çka kanë mbledhur duhet të jetë dyfish se sa kanë mbledhur për çdo ditë”.

6 Moisiu e Aroni u thanë të gjithë bijve të Izraelit:

“Në mbrëmje do ta dini

pse Zoti ju nxori

nga dheu i Egjiptit,

7 kurse në mëngjes do ta shihni

lavdinë e Zotit.

Sepse e dëgjoi ankimin tuaj kundër Zotit. Sepse, kush jemi ne që të nynykatni kundër nesh”?!

8 Atëherë Moisiu shtoi:

“Zoti do t’ju japë

të hani mish në mbrëmje

dhe në mëngjes bukë derisa të ngopeni,

sepse Zoti e dëgjoi ankimin tuaj që e përshperitni kundër tij. Sepse, kush jemi ne? Nynykatja juaj nuk është kundër nesh, por kundër Zotit”.

9 Moisiu i tha Aronit: “Thuaj mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit: Afrohuni në praninë e Zotit, sepse e ka dëgjuar ankesën tuaj!” 10 Dhe, ndërsa Aroni po i fliste mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit, e sollën shikimin drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re!

11 Atëherë Zoti iu drejtua Moisiut. I tha: 12 “I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj”!

13 Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull zemërimiës. 14 E kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë. 15 Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri‑tjetrit: “Manhu?” /që do të thotë: “Çfarë është kjo?”/. Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!

16 Dhe ja, çka Zoti urdhëron: ‘Secili le të mbledhë sa i del mjaft për të ngrënë; për çdo anëtar një gomor, sipas numrit të anëtarëve tuaj. Merrni kështu secili sipas numrit të njerëzve që ka në tendë”.

17 Bijtë e Izraelit vepruan kështu:

bashkuan kush më shumë e kush më pak. 18 E matën me masën e gomorit: as ai që kishte mbledhur më shumë, nuk kishte më tepër dhe, as atij që kishte bashkuar më pak, nuk i mungoi: kishin mbledhur të gjithë aq sa mund të hanin.

19 Moisiu u tha: “Askush të mos ruajë gjë për të nesërmen.” 20 Ata që nuk e dëgjuan, por ruajtën ndonjë sasi prej saj për të nesërmen, u mbush me krimba dhe u qelb. Moisiu u zemërua kundër prej tyre. 21 Secili mblidhte në mëngjes aq sa i nevojitej për ushqim. Kur nxente dielli, u shkrinte.

22 Të gjashtën ditë mblodhën ushqim të dyfishtë, d. m. th. dy gomorë për çdo njeri. Erdhën të gjithë të zotët e shtëpive të bashkësisë dhe i treguan Moisiut. 23 Ai u tha: “Është pikërisht ashtu siç u tha Zoti: ‘Nesër është e shtunë, pushim në nder të Zotit: çka keni për të pjekur, piqeni, çka keni për të zier ziejeni. Gjithçka t’ju teprojë lëreni për nesër në mëngjes”.

24 Vepruan ashtu siç u tha Moisiu dhe nuk u prish dhe nuk u gjetën krimba në të.

25 Moisiu u tha: “Hajeni sot, sepse është e shtuna në nder të Zotit, sot nuk do të gjendet në fushë manë. 26 Gjashtë ditë do ta mblidhni, kurse e shtata ditë është e shtuna në nder të Zotit: prandaj edhe nuk do të ketë”.

27 Të shtatën ditë disa prej popullit dolën për të mbledhur, por nuk gjetën. 28 Zoti i tha Moisiut: “Deri kur nuk doni t’i zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjin tim? 29 A s’po shihni se Zoti ju ka dhënë të shtunën? Për këtë arsye ju jep të gjashtën ditë bukë për dy ditë. Secili le të rrijë në shtëpinë e vet! Të shtatën ditë askush të mos dalë nga vendi ku gjendet”!

30 Kështu, pra, populli pushoi të shtatën ditë.

31 Këtë ushqim shtëpia e Izraelit e quajti manë. Ishte porsi kokrra e koriandrit, e bardhë, kurse shijen e kishte porsi kulaçi me mjaltë.

32 Moisiu tha: “Ja urdhri që ka dhënë Zoti: ‘Mbushe me të një gomor dhe të ruhet për pasardhësit tuaj që ta njohin bukën me të cilën ju ushqeva në shkretëtirë, kur qetë nxjerrë nga dheu i Egjiptit’”.

33 Atëherë Moisiu i tha Aronit: “Merre një enë dhe qit në të aq sa nxen një gomor dhe vendose para Zotit e ruaje për pasardhësit e tu”. 34 Po ashtu si i urdhëroi Zoti Moisiut, Aroni e vendosi për ta ruajtur para Dëshmisë.

35 Bijtë e Izraelit hëngrën manën për dyzet vjet, derisa s’erdhën në dheun e banueshëm. Me këtë bukë u ushqyen derisa s’erdhën në kufijtë e dheut të Kanaanit.

36 Gomori është e dhjeta pjesë e efit.

 

Dalja: 17. Uji që shpërthen nga qeta

17

1 Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bëri çojën nga shkretëtira e Sinit, sipas urdhërit që Zoti u dha zemërimië më zemërimië dhe ngulë në Rafidim. Këtu nuk kishte ujë për të pirë populli. 2 Populli i kundërshtoi Moisiut dhe i tha: “Na jep ujë të pimë”! Moisiu u përgjigj: “Përse grindeni me mua? Përse po e tundoni Zotin”? 3 Në këtë vend populli hoqi keq për ujë dhe nynykatte kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona”? 4Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë”. 5 Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin dhe nisu! 6 Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë”. Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit.

7 Atë vend Moisiu e quajti: Masa dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është”?

Luftimi kundër Amalekut

8 Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. 9 Moisiu i tha Jozuehit: “Zgjedhi disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë”. 10 Jozuehi bëri siç i urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës. 11 Kur Moisiu i lartësonte duart, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. 12 Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit 13 e Jozuehi e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij.

14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Shkruaje këtë për kujtim në libër e shtjerja në vesh Jozuehit:

Unë do ta fshij plotësisht kujtimin e Amalekut nën qiell”!

15 E Moisiu e ndërtoi aty një lter dhe e quajti: Jahve Nisi /Zoti është flamuri im/ e tha:

16 “Një dorë u lartësua kundër fronit të Zotit:

Zoti do të luftojë kundër Amalekut

prej breznie në brezni”.

Dalja: 18. Takimi i Jetros me Moisiun

18

1 E Jetroja, prifti i Madianit, vjehrri i Moisiut, kur dëgjoi gjithçka Hyji kishte bërë për Moisiun dhe popullin e tij Izraelin, dhe se si Zoti e kishte nxjerrë Izraelin prej Egjiptit, 2 e mori Seforën, gruan e Moisiut ‑ kjo ndodhi pasi Moisiu e kishte kthyer në gjini ‑ 3 dhe dy bijtë e saj: njëri prej tyre quhej Gersam, sepse Moisiu kishte thënë: “Jam i humbur në dhe të huaj”; 4 kurse tjetri, Eliezer: “Hyji i atit tim është ndihma ime, Ai më shpëtoi nga shpata e faraonit”. 5 Erdhi, pra Jetroja, vjehrri i Moisiut, me dy bijtë e me gruan e Moisiut te Moisiu në shkretëtirë, ku e kishte ngulur zemërimien përballë malit të Zotit. 6 I çoi fjalë Moisiut: “Unë, vjehrri yt Jetroja, gruaja jote dhe dy bijtë e tu, po vijmë te ti”.

7 Moisiu i doli para vjehrrit të vet; e përshëndeti me përkulje dhe e përqafoi. Pasi u pyetën për shëndet, hynë në tendë. 8 Moisiu i tregoi vjehrrit të vet gjithçka Zoti kishte bërë kundër faraonit e egjiptianëve për shkak të Izraelit, të gjitha vështirësitë që u ndodhën gjatë udhëtimit, prej të cilave Zoti i kishte shpëtuar. 9 Jetroja u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti u kishte bërë izraelitëve dhe që i kishte shpëtuar nga dora e egjiptianëve. 10 Ai tha: “Qoftë bekuar Zoti që ju liroi prej kthetrave të egjiptianëve e prej dorës së faraonit. 11 Tani po e marr vesh se Zoti është më i madh se të gjitha hyjnitë, pasi e nxori popullin prej duarve të egjiptianëve, që u sollën me ta mizorisht”.

12 Jetroja i kushtoi Hyjit fli shkrumbimi dhe fli të tjera. Atëherë erdhën Aroni dhe të gjithë pleqtë e Izraelit për të ngrënë bukë me të në praninë e Zotit.

Themelimi i gjykatësve

13 Të nesërmen Moisiu u ul të gjykojë popullin e populli qëndronte para tij prej mëngjesit e deri në mbrëmje. 14 Kur pa Jetroja se çfarë hiqte për popullin, i tha: “Çfarë bënë ashtu me popull? Pse vetëm ti gjykon kurse mbarë populli qëndron para teje prej mëngjesit e deri në mbrëmje”? 15 Moisiu iu përgjigj: “Populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Hyjit. 16 Kur bien në ndonjë mosmarrëveshje, vijnë tek unë që t’i pleqëroj e u tregoj urdhërimet e Zotit dhe ligjet e tija”. 17 Jetroja i tha: “Mënyra si po veproke s’qenka e mirë. 18 Do të këputesh ti dhe populli që të qëndron përreth. Kjo punë është për ty tepër e rëndë, ti vetëm s’do të mund ta kryesh. 19 Tani më dëgjo e po ta jap një këshillë dhe Hyji do të jetë me ty. Ti qëndro para Hyjit në emër të popullit dhe paraqitja Hyjit çështjet. 20 Tregoju urdhërimet e ligjet, udhën nëpër të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. 21 Atëherë zgjidh prej popullit njerëz të aftë e që e druan Hyjin, që e duan të vërtetën dhe e urrejnë ryshfetin dhe bëji krerë të popullit mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë, 22 e këta le ta sundojnë popullin në çdo kohë. Të gjitha çështjet e rënda le t’i shtrojnë para teje, kurse çështjet e rëndomta le t’i gjykojnë këta; kështu do ta kesh më lehtë pasi ta ndash barrën me të tjerët. 23 Nëse do të veprosh kështu, e Zoti do ta miratojë, do të mund t’i bësh ballë punës dhe mbarë populli do të kthehet në shtëpi i kënaqur”.

24 Moisiu e dëgjoi fjalën e vjehrrit dhe bëri gjithsa i këshilloi; 25 zgjodhi prej mbarë popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i bëri prijës të popullit: prijës mbi një mijë, mbi njëqind, mbi pesëdhjetë e mbi dhjetë vetë. 26 Këta e gjykonin popullin vazhdimisht. E kur ishte ndonjë çështje më e vështirë, ia paraqitnin atij, ata vendosnin vetëm mbi çështje më të lehta.

27 Pastaj Moisiu e la të shkojë vjehrrin, i cili u kthye për në vendin e vet.

Dalja: 19. Arritja në Sinai

19

1 Në muajin e tretë të daljes së Izraelit prej dheut të Egjiptit, po atë ditë aritën izraelitët në shkretëtirë të Sinait. 2 Si u nisën prej Rafidimit, arritën në shkretëtirë të Sinait, aty ngulën fushimin; në shkretëtirë ngulën zemërimin përballë malit.

Premtimi i Besëlidhjes

3 Moisiu u ngjit te Hyji. Zoti e thirri prej malit e i tha: “Thuaj kështu shtëpisë së Jakobit e kumtoj izraelitët:

4 Ju vetë patë se çfarë u bëra egjiptianëve,

se si juve ju kam bartur mbi krahët e shqiponjave e ju kam sjellë deri tek unë.

5 Prandaj, nëse do të ma dëgjoni fjalën

e do ta mbani Besëlidhjen time,

ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime,

‑ imja është mbarë toka‑.

6 Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë.

Këto janë fjalët që do t’ua thuash bijve të Izraelit”.

7 Moisiu u kthye, i bashkoi krerët e popullit dhe u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti. 8 Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do të bëjmë gjithçka tha Zoti.”

Moisiu ia ktheu Zotit përgjigjen e popullit.

9 Zoti i tha Moisiut: “Ja unë po vij te ti në një re të dendur që, kur të flas me ty, të dëgjojë populli e të ketë besim përherë edhe në ty”. Kështu Moisiu ia solli Zotit fjalët e popullit.

10 Zoti i tha Moisiut: “Shko te populli e bëje gati sot e nesër. Le t’i lajnë petkat 11 e të jenë gati për të tretën ditë, sepse të tretën ditë Zoti do të zbresë në sy të mbarë popullit mbi malin Sinai. 12 Vëre për popull gjithkund përreth një cak e urdhëro: Ruajuni se ngjiteni në mal, as rrëzën e malit mos e prekni! Kushdo ta prekë malin, do të vritet. 13 Porse të tillin askush s’guxon ta prekë me dorë: do të vritet me gurë ose do të shporohet me shigjeta.

Qoftë ai njeri ose kafshë, nuk do të lihet gjallë.

Vetëm pasi të ketë rënë briri, do të mund të ngjiten në mal”.

14 Atëherë Moisiu u ul prej malit e shkoi te populli, i cili u përgatit si tha Moisiu: i lanë petkat e veta. 15 Moisiu u tha: “Jini gati për të tretën ditë: mos u afronu grave”.

Hyji dëftohet

16 Erdhi e treta ditë dhe zbardhi drita: u ndien bubullima, shpërthyen vetëtima, një re tejet e dendur e mbuloi malin. Boria jehoi thekshëm dhe u dridh populli që ishte në zemërimië. 17 Atëherë Moisiu e bëri popullin të dalë nga zemërimia në takim me Hyjin. Populli qëndroi në këmbë rrëzë malit.

18 Krejt mali i Sinait s’ishte tjetër por tym, sepse Hyji kishte zbritur në zjarr mbi të e tymi i tij ngritej porsi tym furre. I tërë mali tundej tmerrësisht. 19 Zëri i bririt vinte gjithnjë e rritej: Moisiu fliste me Hyjin e Hyji i përgjigjej me bubullimë.

20 Zbriti, pra, Hyji mbi malin Sinai, në majë të malit, dhe e thirri Moisiun në majë të malit. Moisiu u ngjit. 21 Zoti i tha Moisiut: “Zbrit e porosite popullin të mos e kapërcejë cakun me qëllim që ta shohë Zotin: ndryshe do të bjerë vdekur një shumicë e madhe. 22 Po edhe priftërinjtë që do t’i afrohen Zotit, le të jenë të pastër, ndryshe Zoti do t’i shqimë”.

23 Moisiu i tha Zotit: “Populli nuk ka si të ngjitet në malin Sinai, sepse ti vetë na porosite kur the: ‘Vëre cakun gjithkund përreth e shpalle të shenjtë malin’”. 24 E Zoti i tha: “Shko, zbrit, pastaj ngjitu bashkë me Aronin, kurse priftërinjtë dhe populli të mos i kalojnë caqet, as të mos ngjiten te Zoti, ndryshe do të vriten”.

25 Moisiu zbriti te populli dhe i tregoi gjithçka.

Dalja: 20. Dhjetë urdhërimet

20

1 Atëherë Zoti i tha të gjitha këto fjalë:

2 “Unë jamë Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.

3 Mos ki tjetër Zot, përveç meje.

4 Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. 5 Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti, Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, 6 por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia.

7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.

8 Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: 9 gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; 10 kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. 11 Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.

12 Nderoje babain tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt.

13 Mos vra!

14 Mos bëj kurorëthyerje!

15 Mos vidh!

16 Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!

17 Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd.

Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij.”

18 Mbarë populli i dëgjonte zërat, i shikonte vetëtimat, zërin e borisë e dëgjonte dhe e shihte malin duke tymuar dhe, i trembur e i frikësuar nga tmerri, qëndroi larg. 19 Ata i thanë Moisiut: “Fol ti me ne e do të të dëgjojmë, e të mos na flasë Hyji që të mos vdesim”!

20 Atëherë Moisiu i tha popullit: “Mos kini frikë: Hyji erdhi për t’ju vënë në provë e që ta keni gjithherë frikën e tij me qëllim që të mos mëkatoni”.

21 Populli qëndroi larg, kurse Moisiu u drejtua drejt resë së dendur, ku ishte Hyji.

2. KODI I BESËLIDHJES

Ligji i lterit

22 Zoti i tha Moisiut edhe: “Thuaju kështu bijve të Izraelit: ‘Patë se ju fola prej qiellit! 23 Mos bëni për ju përveç meje idhuj hyjnish të huaja argjendi e ari. 24 Punojeni për mua një lter dheu e në të flijoni fli shkrumbimi e pajtimi: delet e qetë tuaj. Në çdo vend të cilin unë e caktoj, të nderohet emri im, unë do të vij e do të të bekoj. 25 Nëse do të ma punosh lterin prej gurëve, mos ma puno me gurë të latuar, sepse posa ta ulësh mbi të daltën tënde, do të bëhet i papastër. 26 Në lterin tim mos u ngjit nëpër shkallë, që të mos shihen pjesët e turpshme të tuat”.

Dalja: 21. Ligjet për skllevër

21

1 Këto janë rregulloret që do t’ua shtjellosh: 2 “Kur për skllav do të kesh blerë një hebre, le të shërbejë për gjashtë vjet, të shtatin vit, le të shkojë i lirë, falas. 3 Nëse vjen i vetëm, i vetëm edhe le të shkojë; nëse pati grua, me grua le të shkojë. 4 Nëse zotëria e martoi e gruaja i lindi bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj, do t’i përkasin zotërisë së tij, kurse ai do të dalë vetëm. 5 Por, nëse skllavi thotë: ‘E dua zotërinë tim, gruan time e fëmijët e mi, nuk dua të jem i lirë’, 6 atëherë i zoti le ta bjerë te Hyji, le ta afrojë te dera ose te shtalkat e le t’ia shporojë veshin me bizë dhe le t’i mbesë në shërbim të përhershëm.

7 Kur ndokush ta shesë vajzën e vet skllave, nuk do të lirohet siç është zakon të lirohen skllevërit. 8 Në qoftë se nuk i pëlqen atij që i qe dhënë, le t’ia lejojë të shpërblehet, por nuk do të ketë pushtet t’ia shesë njeriut prej popullit të huaj; sepse veproi me tradhti kundrejt saj. 9 Në qoftë se ia cakton për grua birit të vet, atëherë le të sillet me të si me të bijën. 10 Nëse merr ndonjë tjetër, mos t’ia mohojë ushqimin e veshjen as shtratin. 11 Nëse nuk ia plotëson këto të tria, le të dalë e lirë falas, pa kërkuar të shpërblehet”.

Vrasja

12 “Kush t’i bjerë njeriut e ky të vdesë prej të rrahurit, le të ndëshkohet me vdekje. 13 Porse për atë që nuk i ka dalë në pritë, por Hyji e ka lëshuar në duart e tija, unë do ta tregoj vendin ku do të mund të strehohet. 14 Por kur ndokush e vret të afërmin e vet me qëllim e me tradhti, atëherë kape edhe prej lterit tim e çoje për ta vrarë.

15 Kush t’i bjerë t’et e s’ëmës, le të dënohet me vdekje.

16 Kush e grabit njeriun, si në qoftë se e ka shitur, si në qoftë se i zihet në dorë, le të dënohet me vdekje.

17 Kush e fyen me fjalë të atin e t’ëmën, le të ndëshkohet me vdekje.

Rrahja e plagosja

18 Nëse njerëzit zihen me fjalë e njëri i bie tjetrit me gur ose grusht, e ky nuk vdes, por bie në shtrat, 19 nëse ngrihet dhe ecën me shkop përjashta, atëherë rrahësi le të falet, por i duhet të paguajë kohën e humbur dhe shpenzimet për shërim.

20 Kush e rreh skllavin ose skllaven e vet me shkop, dhe ata i vdesin në duar, bie në gjak. 21 Porse, në qoftë se jetojnë një ose dy ditë, nuk bie në gjak, sepse janë pronë e tija.

22 Kur, gjatë një grindjeje, rrihen disa vetë e i bien gruas shtatzënë e kjo e qet fëmijën, nëse nuk ka edhe ndonjë të keqe tjetër, ai që i ra, le të paguajë dëmin që do të kërkojë burri i saj e të vendosin pleqtë. 23 Por, nëse ndodh edhe ndonjë e keqe tjetër, do të kthejë jetën për jetë, 24 syrin për sy, dhëmbin për dhëmb, dorën për dorë, këmbën për këmbë, 25 djegien për djegie, varrën për varrë, damkën për damkë.

26 Kush i bie skllavit ose skllavës së vet e i verbon syrin, për shkak të syrit, do t’ia kthejë lirinë. 27 Nëse skllavit të vet ose skllaves së vet i shkul dhëmbin, për shkak të dhëmbit, do t’ia kthejë lirinë.

28 Kur kau e vret me brirë njeriun ose gruan e këta vdesin, kau le të vritet me gurë dhe mos t’i hahet mishi; i zoti i kaut le të jetë i pafajshëm. 29 Por në qoftë se gjedhi e kishte zakon të sulmojë me brirë edhe më parë dhe për të e kanë vënë në dijeni të zotin e tij, e ky nuk e ka ndry, e ky vret ndonjë burrë ose grua: le të vritet me gurë kau e le të vritet edhe i zoti i tij. 30 Nëse pronarit i caktohet çmimi i shpërblimit të jetës së tij, le të paguajë për jetën e vet sa t’i jetë caktuar. 31 Nëse kau vret një djalosh ose një vajzë, le të veprohet me të po sipas kësaj rregulloreje. 32 Po nëse vret një skllav ose skllave, t’i japë zotërisë tridhjetë sikla të argjendta e kau le të vritet me gurë.

33 Kur ndokush e lë grykën e pusit çelur ose e çel pusin e nuk ia mbyll grykën, e shkon e bie kau ose gomari në të, 34 i zoti i pusit duhet të paguajë gjedhin, kurse bagëtia e cofur i takon atij.

35 Kur një ka e shpon një tjetër dhe e mbyt, le ta shesin kaun e gjallë e le t’i ndajnë të hollat; le ta ndajnë edhe kafshën e cofur. 36 Por nëse ka qenë e ditur se kau vret e i zoti nuk e ka ruajtur, le të kthejë kaun për ka, e kau i cofur le t’i mbesë atij.

Vjedhje bagëtish

37 Kur ndokush vjedh ndonjë bagëti të trashë ose një bagëti të imët, si në e pastë prerë si në e pastë shitur: le të kthejë pesë bagëti të trasha për një bagëti të trashë, e katër bagëti të imëta, për një të imët.

Dalja: 22. Rregulloret për dëmshpërblim

22

1 Nëse zihet vjedhësi duke thyer shtëpinë ose duke biruar murin e varrohet dhe prej varrës vdes, vrasësi nuk bie në gjak. 2 Por nëse e bën këtë pasi të ketë lerë dielli, bie në gjak. Vjedhësi le të kthejë gjithçka plotësisht. Nëse nuk ka me çka të kthejë, le të shitet për vjedhje. 3 Po u gjet tek ai bagëtia e gjallë, që e vodhi ‑ bagëti e trashë ose bagëti e imët ‑ le të kthejë dyfish.

Rregulloret për dëmshpërblim

4 Kur ndokush e përdor për kullotë ndonjë arë të veten ose ndonjë vresht, e i lëshon bagëtitë e veta të kullotin arën e një tjetri, le të kthejë pikë për pikë prej arës së vet frytet e dëmtuara, po në qoftë se ia ka përmbysur krejtësisht, le t’ia kthejë me çfarë ka më të mirë nga ara e vet ose nga vreshti i vet.

5 Kush e ndez zjarrin dhe ferrat kapin e prej tij digjet drithi në duaj, në kallëz ose në arë, ai që e ndezi zjarrin le ta paguajë dëmin.

6 Kur ndokush i lë te ndonjë mik për t’ia ruajtur paratë ose gjëra të tjera dhe, i vidhen atij tek i cili qenë lënë në rojë, nëse gjendet vjedhësi, le të kthejë dy herë aq. 7 Po s’u gjet vjedhësi, i zoti i shtëpisë le të afrohet te Hyji dhe le të betohet se nuk ka vënë dorë në gjënë e të afërmit të vet.

8 Në çdo rast dëmtimi qoftë lidhur me gjedh, me gomar, me bagëti të imët ose me veshje, ose çfarëdo tjetër që sjell farë dëmi, nëse ndokush thotë: “Ky është”, të dy le të nxirren para Hyjit e, ai, të cilin Hyji ta dënojë, le t’i kthejë të afërmit dyfishin.

9 Kur ndokush ia lë të afërmit në rojë gomarin, kaun, delen ose edhe cilëndo bagëti e cof ose thyen qafën ose rrëmbehet prej armikut, por askush nuk e sheh, 10 beja e bërë para Zotit se nuk e ka shtrirë dorën mbi gjënë e shokut le ta ndajë çështjen ndër të dy; pronari le të kënaqet me benë e ai të mos detyrohet ta kthejë. 11 Po u vërtetua se e ka vjedhur, le ta kthejë, 12 nëse e ka shqyer egërsira, le ta sjellë të shqyerën për dëshmi e s’ka detyrë ta kthejë.

13 Kur dikush e huajon prej të afërmit të vet ndonjë kafshë e kjo ose gjymtohet apo cofë pa qenë aty pronari, e ka për detyrë ta paguajë. 14 Po i ndodhi kjo në praninë e pronarit, nuk e ka për detyrë t’ia paguajë, por po qe se ka qenë e huajuar me pagesë, atëherë të marrë pagën”.

Dhunimi i virgjërës

15 Kur ndokush e ngashnjen një vajzë virgjër, e ajo nuk është e fejuar dhe fle me të, le të japë për të çmimin martesor e le ta marrë për grua. 16 Por po qe se i ati i virgjërës nuk dëgjon t’ia japë, ngashnjyesit i duhet të japë për të shumën e parave që kërkohen për pajën martesore të vajzës.

Ligje morale e fetare

17 Mos lejo të jetojë magjistarja!

18 Kush të bjerë me shtazë, le të vritet.

19 Kush u flijon idhujve ‑ përveç një të vetmit Zot ‑ le të vritet.

20 Mos e shfrytëzo as mos e shtyp të huajin, sepse edhe ju qetë të huaj në dheun e Egjiptit.

21 Mos e dëmtoni vejushën as bonjakun. 22 Nëse do t’i nëpërkëmbëni, ato do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. 23 Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju pres me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.

24 Nëse do t’i huajosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim, që është me ty, mos u sill me të si t’i ishe kamatar: mos i merrni kamatë.

25 Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. 26 Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështjell trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri.

27 Mos e shaj Hyjin e mos fol keq për prijësin e popullit tënd.

Frytet e para të parëlindurit

28 Mos vono me flijimin e të ardhurave të lëmës e të verës.

Mua ma jep të parëlindurin e djemve të tu.

29 Po kështu vepro edhe me bagëti të trasha e të imëta: shtatë ditë le të rrijë me t’ëmën e të tetën ditë ma jep mua.

30 Ju do të jeni për mua njerëz të shenjtë: mos e hani mishin e kafshëve të shqyera në fushë prej egërsirës, por qitjani qenve.

 

Dalja: 23. Drejtësia. Detyrat ndaj armiqve

23

1 Mos i prano thashethemet e rreme. Mos i ndihmo keqbërësit duke dëshmuar për të rrejshëm.

2 Mos e ndiq shumicën për të vepruar të keqen, as mos dëshmo në gjyq duke i mbajtur krah shumicës për t’iu shmangur drejtësisë.

3 Mos e përkrah në gjyq as varfanjakun.

4 Po hase në kaun ose në gomarin e humbur të armikut, çoja.

5 Po e pe gomarin e atij që të urren të rrëzuar nën barrë, mos kalo, por ngrite bashkë me të.

6 Mos ia gjymto të drejtën varfanjakut tënd në gjyq.

7 Iki gënjeshtrës. Mos e vra të pafajshmin dhe të drejtin, sepse jam kundër keqbërësit.

8 Mos prano dhurata, sepse ato i verbojnë edhe të urtët e i përmbysin të drejtat e të drejtit.

9 Mos e nëpërkëmbni të ardhurin, sepse e njihni jetën e ardhacakut; edhe ju keni qenë ardhacakë në dheun e Egjiptit”.

Viti shtunor dhe e shtuna

10 “Gjashtë vjet mbille tokën tënde e mblidhi frytet, 11 kurse të shtatin vit lëre djerr të pushojë që ta shfrytëzojnë të varfërit e popullit tënd dhe çfarë të teprojë le ta hanë kafshët e egra. Po kështu vepro edhe me vreshtin e ullishtën tënde.

12 Puno gjashtë ditë. Të shtatën ditë mos puno, që të pushojë kau e gomari yt, të marrë frymë djali i shërbëtores sate dhe i huaji.

13 Kini kujdes për të gjitha që ju kam thënë. Mos e thirrni në ndihmë emrin e hyjnive të huaja: as mos të dëgjohet prej gojës sate”.

Festat e Izraelit

14 “Tri herë në vit festo në nderin tim:

15 Kremtoje festën e të Pabrumeve: ha bukë të pabrume gjatë shtatë ditëve, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib, kur dole prej Egjiptit.

Askush të mos dalë para meje me duar zbrazët.

16 Festo të kremten e Korrjes të fryteve të para që japin arat që të kesh mbjellë; po ashtu edhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur t’i kesh bashkuar të gjitha prodhimet e tua të fushës.

17 Tri herë në vit çdo mashkull yti le të paraqitet para Zotit Hyj.

18 Gjakun e therores sime mos e flijo me bukë të brume; as mos e ruaj dhjamin e të kremtes sime për të nesërmen.

19 Më të mirat ndër frytet e para të tokës sate çoj në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.

Ruaj se zien edhin në qumështin e s’ëmës”.

Premtime dhe porosi për hyrjen në dheun Kanaan

20 “Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vendin që kam përgatitur.

21 Ki nderim për të dhe dëgjoje. Mos i kundërshto, sepse nuk do të falë në qoftë se mëkatoni, sepse në të është Emri im. 22 Nëse do ta dëgjosh zërin e tij e nëse do të bësh gjithçka them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.

23 Engjëlli im do të prijë e do të shtjerë në dheun e Amorreut, të Heteut, të Ferezeut, të Kananeut, të Heveut e Jebuseut. Unë këta do t’i asgjësoj. 24 Ruaju se i adhuron hyjnitë e tyre e ruaj se u shërben. Mos bëj si bëjnë ata, por rrënoji hyjnitë e copëtoji gurngulët e tyre.

25 Shërbejini Zotit, Hyjit tuaj, e unë do ta bekoj bukën tënde e ujin tënd e do t’i largoj prej gjirit tënd sëmundjet. 26 Asnjë grua në vendin tënd nuk do ta qesë fëmijën, asnjë nuk do të jetë beronjë. Do të bëj ta plotësosh numrin e ditëve të tua.

27 Si pararendësin tënd do ta dërgoj tmerrin tim e do ta pështjelloj çdo popull tek i cili do të hysh dhe të gjithë armiqtë e tu do t’i shtrëngoj ta kthejnë shpinën para teje, 28 do të dërgoj më parë grethat që t’i vënë në ikje Heveun, Kananeun e Heteun para se ti të hysh në dheun e tyre. 29 Nuk do t’i dëboj para teje brenda një viti që të mos bëhet toka e shkretë e të shtohen në dëmin tënd egërsirat e malit. 30 Pak nga pak do t’i dëboj para teje derisa të shumohesh e të jesh i zoti ta zotërosh tokën.

31 Do t’i vë kufijtë e tu prej Detit të Kuq deri në det të Filistenjve e prej shkretëtirës deri në Lumë. Në duart tuaja do t’i lëshoj banorët e vendit dhe do t’i largoj prej fytyrës tuaj. 32 Mos bëj besëlidhje me ta, as me hyjnitë e tyre. 33 Të mos banojnë në tokën tënde që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje: sepse ti do t’u shërbeje hyjnive të tyre e kjo do të ishte kurth për ty”.

Dalja: 24. 3. LIDHJA E BESËLIDHJES

24

1 Atëherë i tha Moisiut: “Ngjitu te Zoti ti e Aroni, Nadabi e Abihui dhe shtatëdhjetë pleq prej Izraelit e adhuroni prej së largu. 2 Vetëm Moisiu le të ngjitet te Zoti, por këta të mos afrohen, dhe as populli të mos ngjitet me të”.

3 Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do t’i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti”.

4 Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes hëngri dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gurngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 5 Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit viça në nder të Zotit. 6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter.

7 Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli u përgjigj: “Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm”.

8 Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve”.

9 Atëherë Moisiu u ngjit me Aronin, Nadabin e Abihuin dhe me shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit. 10 Dhe e panë Hyjin e Izraelit: nën këmbët e tija thuajse shtroja prej gurëve të paçmueshëm të safirit e shkëlqyeshme pothuajse si vetë qielli kur është i kthjellët. 11 As dorën e vet nuk e ngriti mbi të zgjedhurit e Izraelit: mundën ta shikojnë Hyjin. Hëngrën e pinë.

Moisiu në mal

12 Zoti i tha Moisiut: “Ngjitu tek unë në mal e qëndro aty. Do t’i jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që i kam shkruar për t’i mësuar”.

13 U ngritën Moisiu dhe Jozuehi, përcjellësi i tij. Duke u nisur Moisiu për malin e Hyjit, 14 u tha pleqve: “Pritni këtu deri që të kthehemi te ju. Me ju janë Aroni dhe Huri, nëse lind ndonjë çështje, drejtohuni atyre”.

15 Moisiu u ngjit në mal dhe reja e mbuloi malin.

16 Lavdia e Zotit erdhi të banojë në mal të Sinait dhe reja e mbuloi gjashtë ditë. Të shtatën ditë Hyji e thirri prej resë Moisiun.

17 Lavdia e Zotit u dukej në sy të bijve të Izraelit në trajtë të zjarrit përpijës në majën e malit. 18 Moisiu u fut në re dhe u ngjit në mal. Qëndroi atje dyzet ditë e dyzet net.

Dalja: 25. Ndihmat për shenjtëroren

25

1 Zoti i tha Moisiut: 2 “Thuaju bijve të Izraelit të më sjellin dhurata. Pranoni prej secilit njeri që i jep vullnetarisht. 3 Merrni këto dhurata: ar, argjend dhe bronz, 4 pëlhurë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur, li të tjerrë dhe lesh dhie, 5 lëkura të regjura deshësh të ngjyrosura kuq, lëkura delfini e dru akacie, 6 vaj për ndriçim, erëra të mira për vajra lyerjeje e kemimi të erëndshëm, 7 gurë oniksi dhe të tjerë gurë të paçmueshëm për të stolisur shpinoren dhe parzmoren. 8 Le të ma punojnë Shenjtëroren që të mund të banoj në mesin e tyre. 9 Në ndërtimin e Banesës dhe të të gjitha gjërave që i përkasin kultit, duhet t’i ndërtoni pikë për pikë sipas gjedhes që do ta tregoj ty”.

Tenda dhe orenditë e saja: Arka

10 “Le ta punojnë Arkën prej drurit të akacies: dy kutë e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë. 11 Praroje me ar të pastër përbrenda e përjashta; sipër bëji përreth një brez ari. 12 Shkrij për të katër rrathë ari dhe mbërthej në katër këmbët e arkës: dy rrathë në njërin krah e dy të tjerë në krahun tjetër. 13 Punoj gjithashtu edhe shtagat druri të akacies dhe veshi me ar; 14 atëherë shtjeri në rrathë që janë në krahët e Arkës që të mbaret në to. 15Shtagat le të jenë gjithmonë në rrathë dhe të mos hiqen askurrë prej tyre. 16 Në Arkë brenda vendoje Dëshminë që do ta jap.

17 Punoje kapakun ‑ Pajtimoren prej arit të pastër: le të jetë e gjatë dy kutë e gjysmë e gjerë një kut e gjysmë. 18 Punoj edhe dy kerubinë të artë: farkoj në dy skajet e Pajtimores; 19 njëri kerubin të jetë në njërin skaj, e tjetri në tjetrin: mbërthej në dy skajet e Pajtimores, kështu që të përftojnë një tërësi. 20 Le t’i shtrijnë krahët përmbi që me krahët e tyre ta mbulojnë Pajtimoren; le të jenë fytyrë për fytyrë, me fytyrë mbi Pajtimoren, 21 me të cilën mbulohet Arka, në të cilën vendose Dëshminë që do ta jap ty.

22 Aty do të takohem me ty, e përmbi Pajtimoren ndërmjet dy kerubinëve që do të jenë mbi Arkën e Dëshmisë, do t’i jap të gjitha urdhërimet lidhur me izraelitët”.

Tryeza e bukëve të kushtimit

23 “Punoje edhe një tryezë prej drurit të akacies të gjatë dy kutë, të gjerë një kut e të lartë një kut e gjysmë. 24 Praroje me ar krejtësisht të pastër e përreth punoje një brez ari. 25 Bëje pastaj buzën të gjerë katër gishta rreth e rreth e mbi të rreth e rreth një brez ari. 26 Punoj edhe katër rrathë të artë e vëri në katër këndet e tryezës te secila këmbë. 27 Përbri buzës do të jenë rrathët e artë për t’i futur nëpër ta shtagat për ta mbartur tryezën.

28 Edhe shtagat punoji prej drurit të akacies dhe veshi me ar. Me anë të tyre do të mbaret tryeza. 29 Puno edhe mashtka, gota, enë e kupa për t’i njomur kushtet; le të jenë prej arit të pastër. 30 Mbi tryezë vendosi bukët e kushtimit që të jenë në praninë time përgjithmonë”.

Shandani

31 “Punoje edhe një shandan ari të kulluar. Shandani të jetë i farkuar. Baza e shtiza e tij, gotat e burbuqet dhe fletët le të jenë të shkrira një me të. 32 Të ketë gjashtë krahë: tre nga njëra anë e shtizës e tre nga ana tjetër. 33 Në njërin krah le të jenë tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e fletët; po ashtu edhe tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e gotat në krahun tjetër: kështu duhet të jenë të gjashtë krahët që dalin nga shtiza e shandanit. 34 Në vetë shtizën e shandanit të jenë katër gota në trajtë të lules së bajames po edhe burbuqet e fletët. 35 Çdo burbuqe nën dy krahët në tri vende e që janë gjashtë krahë që dalin nga e njëjta shtizë. 36 Burbuqet e krahët duhet të jenë një me shandanin që duhet të jetë i punuar prej arit të pastër, të farkuar. 37 Punoji edhe shtatë dritëza dhe vendosi mbi të që të ndiçojnë para tij. 38 Lotheqësit dhe lotpritësit e tyre le të jenë prej arit të kulluar. 39 Shandani me të gjitha pjesët përkatëse të tija le të jetë i rëndë një talent ari të kulluar. 40 Pra, kujdes, e punoje sipas gjedhes që të është dëftuar në mal”.

Dalja: 26. Banesa. Pëlhurat dhe mbuloja

26

1 “Kurse Banesën punoje kështu: punoji dhjetë koltrina me pëlhurë liri të tjerrë ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur të qendisura me figura kerubinësh artistikisht. 2 Gjatësia e njërës pëlhurë: njëzet e tetë kutë; gjerësia katër kutë e njërës pëlhurë; masa e njëjtë e të gjitha koltrinave. 3 Pesë koltrina le të bashkohen njëra me tjetrën, e pesë tjerat po ashtu duhet të bashkohen njëra me tjetrën. 4 Punoji edhe vjegëzat prej leshit ngjyrë viollce në kindin e njërës koltrinë në fund në vend ku përpiqen, po kështu puno edhe në koltrinën tjetër në kindin ku duhet të përpiqen. 5 Punoji pesëdhjetë vjegëza në kindin e njërës koltrinë e pesëdhjetë vjegëza në kindin e koltrinës tjetër. Vjegëzat le të punohen njëra kundrejt tjetrës. 6 Punoji edhe pesëdhjetë komçarë ari, me të cilët do të lidhen pëlhurat e koltrinave, që Banesa të bëhet një tërësi.

7 Punoji edhe njëmbëdhjetë çulla me lesh dhish për Tendën mbi Banesën. 8 Gjatësia e çullit të jetë tridhjetë kutë, kurse gjerësia të jetë katër kutë; të gjithë çullat të kenë të njëjtën masë. 9 Përpiqi pesë çulla veçmas e pastaj edhe gjashtë të tjerët veçmas, por ashtu që çulli i gjashtë të bëhet dyfish në ballë të Tendës. 10 Punoj pesëdhjetë vjegëza në buzë të çullit të fundit në vend të përpjekjes të të parit e pesëdhjetë në buzë të çullit në vend të përpjekjes së tjetrit. 11 Punoji edhe pesëdhjetë komçarë bronzi, me të cilët të mbërthehen vjegëzat që prej të gjithëve të bëhet Banesa një tërësi. 12 E sa tepron prej çullave të përgatitur për mbulojë, d. m. th. një çull i dyfishuar, me gjysmën e tij mbuloje pjesën e sprasme të Banesës; 13 një kut që tepron në njërën anë e një kut që tepron në anën tjetër për gjatësi të çullave të Tendës, le të bien mbi dy krahët e Banesës për ta mbrojtur nga njëra anë e nga ana tjetër.

14 Punoje pastaj edhe një mbulesë tjetër për Banesën. Të jetë prej lëkurave të regjura e të ngjyrosura kuq deshësh dhe edhe një mbulesë tjetër me lëkura delfinësh.

Lënda drusore

15 Prej drurit të akacies punoji dërrasat pingule të Banesës. 16 Secila të jetë e gjatë dhjetë kutë dhe e gjerë një kut e gjysmë. 17 Çdo dërrasë t’i ketë dy kunja me të cilët të lidhet dërrasa me dërrasë; kështu punoji të gjitha dërrasat e Banesës. 18 Këso dërrasash të jenë për krahun e jugut që kthen prej mesditës njëzet. 19 Për ta shkrij dyzet fundra argjendi, dy baza për dy kunjat e dërrasës së parë, e kështu rëndom dy baza për dy kunja të secilës dërrasë. 20 Po ashtu në krahun e dytë të Banesës që është në anë të veriut, punoj njëzet dërrasa, 21 dhe të kenë dyzetë fundra argjendi: nga dy fundra duhet t’i vihen secilës dërrasë. 22 Në anën e fundme të Banesës, në perëndim, vëri gjashtë dërrasa. 23 Punoji edhe dy dërrasa për të tjera që do të ngulen në kënde të Banesës përpas. 24 Kështu le të jenë binjake prej poshtë e deri lart të bashkuara në një tërësi; të tilla le të jenë këto të dyja për të dy këndet. 25 Pra, le të jenë tetë dërrasa me fundrat e tyre të argjendta: gjashtëmbëdhjetë fundra të argjendta, vëri nga dy fundra secilës dërrasë. 26 Punoji edhe tërthorcat prej drurit të akacies: pesë për t’i mbajtur dërrasat në njërën anë 27 e pesë për anën tjetër të Banesës e pesë për pjesën pas në krahun e perëndimit. 28 Tërthorca e mesme le të shkojë për mjedis të dërrasave prej njërit skaj në tjetrin. 29 Dërrasat veshi me ar dhe shkrij për to rrathë ari, 30 nëpër të cilët tërthorcat do të përshkohen; punoji prej ari”.

Tisi

31 Punoje edhe koltrinën prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë me kerubina të qendisur në të me mjeshtri. 32 Vare në katër shtyllakë prej drurit të akacies. Edhe këta duhet të jenë të praruar, komçarët t’i kenë të artë e fundrat të argjendta. 33 Vare koltrinën në varëse e pas saj fute Arkën e Dëshmisë. Kështu tisi do ta ndajë Shenjtëroren nga Shenjtërorja e shenjtërve.

34 Vëre edhe Pajtimoren mbi Arkën e Dëshmisë në Shenjtëroren e shenjtërve, 35 kurse tryezën jashtë koltrinës e shandanin në anën e jugut të Banesës, përballë tryezës. Tryezën vendoje në anë të veriut.

36 Për në hyrje të tendës punoje dhe një napë prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur me li të përpunuar të qendisur me mjeshtri. 37 Për napën punoji pesë shtyllakë prej drurit të akacies të praruar, para të cilëve do të vihet napa. Komçarët le të punohen prej arit, e bazat prej bronzit”.

Dalja: 27. Lteri i flive të shkrumbimit holokaustat

27

1“Punoje lterin prej drurit të akacies, le të jetë i gjatë pesë kutë e i gjerë pesë kutë ‑ d. m. th. katror, kurse i lartë të jetë tre kutë. 2 Në katër këndet e tij punoji brirët që të jenë një cope me të. Veshe me bronz. 3 Punoji pastaj në përdorimin e lterit enë për mbeturina, tërfurq dhe enë për të mbajtur zjarrin: të gjitha enët farkoj prej bronzi. 4 Punoje edhe skarën prej bronzit në trajtë të rrjetës e në katër këndet e saj le të jenë katër rrathë bronzi për ta lidhur skarën. 5 Vendoje nën rrethin e lterit: le të jetë skara deri në gjysmë të lterit. 6 Punoji edhe dy shtaga prej drurit të akacies dhe veshi me bronz, 7 dhe përshkoji nëpër rrathë; kështu do të jenë në të dy anët e lterit për ta bartur. 8 Punoje dërrasash, por të tytë; le ta punojnë si të qe dëftuar në mal”.

Tremja

9 “Punoje edhe tremen e Banesës. Në krahun e mesditës, në anën e jugut, le të ketë kurtinë pëlhure liri të dredhur: njëri krah duhet të jetë i gjatë njëqind kutë. 10 Duhet të ketë shtyllakë njëzet dhe po aq baza bronzi dhe le të kenë komçe dhe thupra argjendi. 11 Po ashtu edhe në krahun e veriut: kurtina le të jetë e gjatë njëqind kutë, shtyllakë njëzet copë dhe po aq baza bronzi dhe komçet e shtyllakëve dhe thuprat e tyre argjendi. 12 Kurse për gjerësi të tremes në krahun e perëndimit kurtina duhet të jetë e gjatë pesëdhjetë kutë e shtyllakë duhen dhjetë me aq baza bronzi. 13 Po edhe gjerësia në krahun e lindjes duhet të jetë pesëdhjetë kutë. 14 Njëra anë deri në hyrje duhet të ketë pesëmbëdhjetë kutë dhe tre shtyllakë e aq baza; 15 po ashtu edhe ana tjetër duhet të ketë pesëmbëdhjetë kutë koltrinë me tre shtyllakë e tri baza. 16 Për hyrje të tremes le të punohet koltrina e gjatë njëzet kutë prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e prej lirit të dredhur: koltrinë e qendisur. Duhet të ketë katër shtyllakë po me aq baza. 17 Të gjithë shtyllakët e tremes rreth e rreth le të jenë të kapur me thupra argjendi dhe komçet e tyre le të jenë të argjendta, kurse bazat bronzi. 18 Tremja le të jetë e gjatë njëqind kutë, e gjerë pesëdhjetë, kurse e lartë le të jetë pesë kutë. Koltrina le të jetë pëlhure të lintë të dredhur, bazat prej bronzit. 19 Të gjitha enët e Banesës për shërbim në përgjithësi si dhe të gjithë shtyllakët e tij dhe të tremes le të jenë prej bronzit”.

Vaji për shandanin

20 “Urdhëroju bijve të Izraelit të të sjellin vaj të pastër prej ullinjve të shtrydhur që të rrijë drita e ndezur vazhdimisht 21 në Tendën e takimit jashtë tisit që është i vënë përpara Dëshmisë. Këtë dritë le ta rregullojnë Aroni dhe të bijtë që prej mbrëmjes e deri në mëngjes të ndriçojë para Zotit: le të jetë kjo një rregullore e pandryshueshme për izraelitët prej breznie në brezni”.

Dalja: 28. Petkat e priftërinjve

28

1 “Prej bijve të Izraelit merre pranë teje Aronin, vëllanë tënd, me bijtë e tij që të ushtrojnë priftërinë për mua: Aroni, Nadabi, Abiuhi, Eleazari dhe Itamari.

2 Puno për Aronin, vëllanë tënd, petkat e shenjta që të paraqesin nderin dhe madhërinë. 3 Thuaju të gjithë mjeshtërve që i kam pajisur me dije që t’ia punojnë petkat Aronit që të kushtohet në shërbesën e priftërisë sime. 4 Dhe ja, petkat që duhet t’i punojnë: parzmorja, shpinorja, guna, këmisha e qendisur, kësula dhe brezi. Le t’i punojnë petkat e shenjta për Aronin e për bijtë e tij që të kryejnë shërbesën priftërore në nderin tim. 5 Ata le të përdorin ar, pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe, të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë”.

Shpinorja

6 “Shpinoren le ta punojnë prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur ‑ të punuar me mjeshtri. 7 Le t’i ketë dy krahëza dhe në dy anët e skajeve të saja të bashkohet me to. 8 Rrypi që është mbi të për ta shtrënguar duhet të jetë i të njëjtës përmbajtje dhe një tërësi me të: prej arit, pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur. 9 Merri dy gurë të paçmueshëm alabastri dhe gdhendi në ta emrat e bijve të Izraelit: 10 gjashtë emra në njërin gur e gjashtë tjerët në gurin tjetër, sipas rendit të lindjes së tyre. 11 Gdhendi gurët me mjeshtrinë e gdhendësit të gurëve e zgavroj emrat e bijve të Izraelit ashtu si skalitet vula; përreth tyre vëri rreth ari. 12 Nguli dy gurët mbi krahëzat e shpinores që të jenë në përkujtim të bijve të Izraelit. Kështu Aroni le t’i mbarë para Zotit emrat e tyre mbi të dy krahët për t’i përkujtuar. 13 Edhe skajet punoj prej arit 14 dhe dy vargje prej arit të pastër në trajtë të tejes me mjeshtri gërshetimi e atëherë mbërthej vargjet me skajet e arta”.

Parzmorja

15 “Punoje edhe parzmoren e gjykimit me mjeshtri, sipas punimit të shpinores me ar, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur: 16 le të jetë katrore dhe e dyfishtë: një pëllëmbë gjatë e një pëllëmbë gjerë. 17 Vëri në të katër radhë gurësh: në rreshtin e parë vër gurin: rubin, topaz e smaragd. 18 Në rreshtin e dytë: karbunkull, safir e jaspis. 19 Në rreshtin e tretë: hiacint, agat e ametist. 20 Në të katërtin: krisolit, oniks e beril. Le të jenë të rrethuar me ari sipas radhës së tyre. 21 Le t’i kenë emrat e bijve të Izraelit: le të jenë të gdhendur dymbëdhjetë emrat: çdo gur emrin e njërit nga të dymbëdhjetë fiset. 22 Edhe parzmores punoja vargjet si teje të gërshetuar me mjeshtri, ari të pastër. 23 Po edhe dy rrathë ari e vëri në majë të dy anëve të parzmores.

24 Vargjet e arta mbërthej me rrathët që janë në rrethin e saj, 25 kurse dy majët e këtyre vargjeve mbërthej në rrethin e krahëzave të shpinores në pjesët e përparme. 26 Punoji edhe dy rrathë të artë dhe lidhi për dy këndet e poshtme të parzmores në buzë përbrenda që është e sjellë prej shpinores. 27 Punoji po ashtu edhe dy rrathë të tjerë ari që do të vihen në secilin rryp të poshtëm të shpinores në pjesën e përparme të saj aty ku përpiqet rrypi i shpinores 28 e shtërngoje parzmoren për rrathët e saj e për rrathët e shpinores me një shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja të rrijë përmbi rrypin e shpinores që parzmorja e shpinorja të mos mund të ndahen. 29 Kështu, pra, Aroni sa herë që të hyjë në Shenjtërore, le t’i mbartë mbi zemrën e vet emrat e fiseve të bijve të Izraelit në parzmoren e gjykimit: që t’i përkujtojë gjithmonë para Zotit. 30 Vëri në parzmoren e gjykimit edhe ‘Urim e Tummim’, që të jenë edhe ata mbi zemrën e Aronit sa herë që të hyjë në praninë e Zotit. Kështu Aroni ta mbarë mbi zemrën e vet në praninë e Zotit përherë gjykimin e bijve të Izraelit”.

Guna

31 “Gunën e shpinores punoje të tërë prej pëlhure të ngjyrës vjollce, 32 e në mes të saj grykën për krye. Buza përreth le të qepet porsi gryka në pancir, që të mos shqyhet. 33 Kurse në fund të gunës, gjithkund përreth, punoji prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur si shega e ndërmjet shegave kumbonëzat ari, 34 kështu që të jetë një kumbonëz e një shegë, e një kumbonëz e një shegë. 35 Le të veshet me të Aroni kur kryen shërbesën që të dëgjohet tingëllima kur hyn e del prej shenjtërores kështu s’do të vdesë”.

Shenja e shugurimit

36 “ Punoje edhe një paftë krejt ar të kulluar e në të gdhende ashtu si gdhendet në vulën e unazës: “I shuguruar Zotit”. 37 Lidhe me shirit ngjyrë vjollce për kësulë, 38 në ballin e Aronit. Kështu Aroni le t’i marrë mbi vete të gjitha mungesat që do të mund t’i njollosnin kushtet e dhuratat që izraelitët i kushtojnë. Le ta mbajë gjithmonë në ballë që të fitojë për ta përkrahjen e Zotit.

39 Punoja këmishën prej lirit të pastër; po ashtu edhe kësulën prej lirit të pastër; edhe brezin të qendisur me mjeshtri”.

Petkat për priftërinj

40 “Po edhe për bijtë e Aronit punoj këmisha të linjta; punoji edhe breza dhe kësula në shenjë nderi e madhërie. 41 Veshe me to Aronin, vëllanë tënd, dhe bijtë e tij; atëherë lyeji me vaj, mbushjau duart me pushtet dhe shuguroji që ta kryejnë shërbesën priftërore në nderim tim. 42 Punoju edhe të linjtat që të mbulojnë veten që prej veshkeve e deri kofshët. 43 Le t’i mbartin Aroni e bijtë e tij kur hynë në Tendën e takimit ose kur i afrohen lterit për të kryer shërbesën në shenjtërore që të mos bien në faj e të vdesin: është urdhëresë rituale e përhershme për të dhe për pasardhësit e tij pas tij”.

Dalja: 29. Shugurimi i Aronit dhe i bijve të tij. Përgatitja

29

1 “Dhe, ja, si do të bësh për t’i shuguruar për priftërinë time: merre një mëzat dhe dy desh pa të meta, 2 bukë të pabrume dhe kuleç të pabrumë të ngjeshur në vaj po dhe pite të pabrume të lyera me vaj. Gatuaj me miell të bardhë gruri, 3 futi në shportë e kushtoj bashkë me mëzat e me dy deshtë”.

Pastrimi, të veshurit dhe lyerja

4 “Bjeri Aronin dhe bijtë e tij te dera e Tendës së takimit. Pasi t’i kesh larë atë e bijtë e tij me ujë, 5 veshe Aronin me petkat e tij, d. m. th. me këmishë, me gunën e shpinores, vëri shpinoren dhe parzmoren, të cilën shtrëgoja me lidhëzën e shpinores; 6 vëri kësulën në kokë dhe kezën e shenjtë ‑ shenjën e shugurimit mbi kësulë 7 dhe zbraz mbi kokën e tij vajin e shugurimit, dhe do të jetë i shuguruar. 8 Afroji edhe bijtë e tij dhe veshi me këmisha të linjta, ngjeshi me brez, 9 vëru kësulat dhe do të jenë priftërinj të mi me të drejtë të përhershme”.

Flitë

“Pasi t’ua kesh mbushur duart me pushtet Aronit dhe bijve të tij, 10 sille mëzatin para Tendës së takimit. Atëherë Aroni dhe të bijtë le t’ia vënë duart mëzatit mbi kokë 11 e preje në praninë e Zotit në hyrje të Tendës së takimit. 12 Merr prej gjakut të mëzatit e me gishtin tënd vëre në brirë të lterit, kurse pjesën tjetër të gjakut zbraze nën lter. 13 Merre edhe tërë dhjamin e zorrëve dhe rizën e mëlçisë e dy veshkat me dhjamin që është mbi to dhe shkrumboji mbi lter si fli, 14 kurse mishin e mëzatit, lëkurën dhe jashtëqitjet e tija, digji përjashta zemërimiës, sepse është fjala për fli pendestare.

15 Pastaj merre njërin dash dhe mbi kokë të tij Aroni dhe bijtë e tij t’i vënë duart. 16 Atëherë preje e merre gjakun e tij e derdhe mbi lter gjithkund përreth tij. 17 Dashin preje copa‑copa, laja zorrët dhe këmbët e vëri mbi mishin e coptuar dhe mbi kokën e tij. 18 Atëherë digje mbi lter krejt dashin: është fli e bërë shkrumb në nder të Zotit, erë e këndshme, fli e djegur në zjarr në nder të Zotit.

19 Merre edhe dashin tjetër e mbi kokë të tij t’i vënë duart Aroni e bijtë e tij. 20 Preje dashin, merr prej gjakut të tij dhe lyeje bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij dhe pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë të tyre. Gjakun që tepron derdhe në lter gjithkund përreth. 21 Atëherë merr prej gjakut që do të mbesë në lter dhe prej vajit të shugurimit stërpike Aronin e petkat e tija, e me të bijtë e tij e petkat e tyre”.

Hyrja në shërbesë të priftërinjve

22 “Merre pastaj dhjamin e dashit, bishtin dhe dhjamin rreth zorrëve, rizën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që i mbështjell ato dhe shpatullën e djathtë ‑ sepse është dashi i flijuar për shugurimin e priftërinjëve, 23 një bukë të rrumbullaktë, një kulaç në vaj dhe një pite prej shportës së pabrumeve që është e vënë në praninë e Zotit. 24 Vëri të gjitha në duar të Aronit e të bijve të tij e bëri t’i kushtojnë me sjellje të paraqitjes para Zotit. 25 Merri të gjitha prej duarve të tyre dhe digji mbi lter përmbi flinë e shkrumbimit, në erë të këndshme në praninë e Zotit: është fli i djegur në zjarr për Zotin.

26 Merre edhe gjoksin e dashit me të cilin hyri në shërbesë Aroni dhe kushtoje si fli paraqitjeje Zotit: kjo pjesë të takon ty. 27 Shenjtëroje gjoksin që qe paraqitur dhe shpatullën që qe kushtuar, të ndara nga dashi, 28 me të cilin hynë në shërbesë Aroni dhe bijtë e tij. Këto pjesë i takojnë Aronit dhe bijve të tij, e drejtë e pandryshueshme mbi bijtë e Izraelit përgjithmonë; sepse është shpërblim dhe do të mbetet shpërblim prej bijve të Izraelit për flitë e pajtimit, shpërblim i tyre që i takon Zotit.

29 Petkat e shenjta të Aronit u takojnë bijve të tij pas tij, që të shugurohen në to dhe duart e tyre të mbushen me pushtet në to. 30 Ai që prej bijve të tij do të bëhet kryeprift në këmbë të tij, që do të hyjë në Tendën e Takimit për të shërbesuar në shenjtërore, le t’i përdorë për shtatë ditë”.

Ngrënia e shenjtë

31 “Merre pastaj dashin e shugurimit dhe zije mishin e tij në vendin e shenjtë. 32 Aroni e bijtë e tij le ta hanë mishin e këtij dashi dhe bukën që është në shportë në hyrje të Tendës së takimit. 33 Le të hanë prej atyre që shërbyen si fli pendestare që t’ju mbushen duart me pushtet e të shugurohen. S’guxon të hajë prej tyre asnjë i jashtëm. 34 Nëse mbetet mish prej flisë së shugurimit të priftërinjve ose prej bukës deri në mëngjes, digje: nuk guxohet të hahet, sepse është e shuguruar.

35 Bëj, pra, kështu gjithçka me Aronin e me bijtë e tij siç të kam urdhëruar. Gjatë shtatë ditëve vazhdo t’i shugurosh duart e tyre”.

Shugurimi i lterit të flisë së shkrumbimit /holokaustit/

36 “Çdo ditë flijoje një mëzat për shpërblim që duhet dhënë për mëkat; duke kushtuar fli shpërblimi për të do ta heqësh mëkatin prej lterit dhe lyeje që të shugurohet. 37 Shtatë ditë rresht kushto fli shpërblimi për lterin dhe shuguroje. Kështu lteri do të jetë tejet i shenjtë: e kushdo që ta prekë do të jetë i shenjtë”.

Flia e shkrumbimit e përditshme

38 “Dhe, ja, çka do të kushtosh mbi lter: çdo ditë vazhdimisht nga dy qengja vjetakë, 39 njërin qengj në mëngjes e tjetrin në mbrëmje. 40 Kushtoje me qengjin e parë edhe një të dhjetën e ef-it miell të bardhë të ngjeshur me një të katërt të hin-it vaj të shtypur dhe një fli njomjeje me një të katërt të hin-it verë. 41 Kurse qengjin tjetër kushtoje në mbrëmje sipas ritit të flisë mëngjesore e të njomjes në erë të këndshme, fli të djegur në nder të Zotit, 42 le të jetë kjo fli shkrumbimi e përhershme brezni në brezni në hyrje të Tendës së takimit, në praninë e Zotit, ku do të takohem me ju për të biseduar me ty.

43 Këtu do të takohem edhe me bijtë e Izraelit e do ta shenjtëroj këtë vend me anë të lavdisë sime. 44 Do ta shenjtëroj edhe Tendën e takimit me lter dhe Aronin me të bijtë që të më shërbejnë si priftërinj. 45 Unë do të banoj ndër izraelitë e do të jem Hyji i tyre. 46Atëherë ata do ta marrin vesh se jam unë Zoti, Hyji i tyre, që i nxora nga dheu i Egjiptit, që të banoj me ta ‑ unë Zoti, Hyji i tyre”.

Dalja: 30. Lteri i erërave të mira

30

1 “Punoje edhe lterin për djegien e kemit. Punoje prej drurit të akacies 2 një kut të gjatë, një kut të gjerë, d. m. th. katror ‑ të lartë dy kutë. Brirët e tij le të jenë një me të. 3 Veshe me ar të kulluar qoftë skarën e tij qoftë edhe anët rreth e rreth dhe brirët e tij. Bëja përreth një brez ari 4 dhe në brez punoja dy rrathë të artë për të dy anët e vëri në dy krahët që të kalohen nëpër ta shtagat për ta mbartur lterin. 5 Kurse shtagat punoji prej drurit të akacies e praroji. 6 Lterin vendoje para koltrinës që është e varur para Arkës së Dëshmisë, afër Pajtimores që ndryn Dëshminë, ku do të takohem me ty. 7 Mbi të Aroni le ta djegë temjanin e erëndshëm në mëngjes. Le ta ndezë kur përgatit dritëzat; 8 po edhe kur t’i ndezë ato në mbrëmje, le ta djegë kemin, që të jetë kemim i përhershëm para Zotit brez pas brezi ndër ju. 9 Mos kushtoni në të as temjane të pashenjtëruara, as fli shkrumbimi, paraqitjeje, as njomjeje. 10 Aroni le ta kryejë njëherë në vit ritin e shpërblimit në brirët e tij me gjak të flisë që kushtohet për mëkat; le ta kryejë një herë në vit ritin e shpërblimit për lter. Bëni kështu në breznitë e ardhshme. Ky lter, tejet i shenjtë, do të jetë i kushtuar Zotit”.

Tatim për kokë të njeriut

11 Zoti foli me Moisiun dhe i tha: 12 “Kur t’i njehësh për t’i regjistruar bijtë e Izraelit, le t’i japë secili Zotit çmimin e shpërblimit për jetën e vet kur të shkruhet e s’do t’i gjejë ndonjë e keqe në ditë të regjistrimit. 13 Secili që e kap regjistrimi le të japë kaq: një gjysmë sikli ‑ sipas masës së shenjtërores, ku janë njëzet obola për një sikel. Kjo gjysmë sikli është paradhënie për Zotit. 14 Të gjithë ata që i kap regjistrimi ‑ prej njëzet vjetësh e përtej, duhet t’ia japin ndihmesë Zotit. 15 Pasaniku të mos japë më shumë e skamnori të mos japë më pak se gjysmë sikli kur të jepni paradhënien Zotit për shpërblim të jetës suaj. 16 Të hollat e nxjerra prej bijve të Izraelit për shpërblim, jepi në përdorim të Tendës së takimit. Le të jenë para Zotit si shenjë i përkujtimit të tyre e do të ketë mëshirë për jetën e tyre”.

Legeni

17 Zoti foli me Moisiun e i tha: 18 “Punoje edhe legenin prej bronzit me fundësorin e tij prej bronzit për t’u larë. Vendoje ndërmjet Tendës së takimit e lterit. Qit në të ujë 19 e Aroni dhe bijtë e tij le t’i lajnë në të duart e këmbët (e tyre). 20 Kur do të hyjnë në Tendën e takimit le të lahen me ujë, që të mos vdesin. Po kështu edhe kur t’u duhet t’i afrohen lterit për shërbesë ose për të shkrumbuar flinë në nder të Zotit. 21 Le t’i lajnë duart e këmbët që të mos vdesin: është rregullore e përhershme për të e për pasardhësit e tij brezni më brezni”.

Vaji për lyerje – bagmi

22 Zoti foli me Moisiun 23 e i tha: “Merr erëra të mira të dorës së parë: të zgjedhur mirë, pesëqind sikla; cinamom të erëndshëm: gjysëm aqi: d. m. th. dyqind e pesëdhjetë sikla; e kallam erëmirë po aq: dyqind e pesëdhjetë sikla, 24 kanellë: pesëqind sikla ‑ me peshën e shenjtërores ‑ dhe një hin vaj ulliri. 25 Punoje prej këtyre vajin e shenjtë të lyerjes ‑ përzierje e erëndshme ‑ vepër e erëbërësit: ky të jetë vaji i shenjtë i shugurimit. 26 Me të lyeje Tendën e takimit dhe Arkën e dëshmisë, 27 tryezën dhe të gjitha veglat përkatëse të sajat, shandanin dhe veglat përkatëse të tija, lterin e kemimit 28 lterin e flive të shkrumbimit me veglat e tija përkatëse, legenin dhe fundësorin e tij. 29 Shenjtëroji të gjitha dhe do të jenë tejet të shenjta: e kushdo që do t’i prekë, do të jetë i kushtuar.

30 Lyeje kështu edhe Aronin e bijtë e tij dhe shuguroji që të ushtrojnë priftërinë time. 31 Thuaju edhe bijve të Izraelit: ky është vaji im për shugurim prej breznie në brezni. 32 Me të të mos lyhet assesi trupi i njeriut të thjeshtë dhe mos punoni tjetër vaj me këtë përmbajtje. Ky është i shenjtëruar dhe le t’ju jetë i shenjtë. 33 Njeriu që do të merrte guxim të punojë një gjë të kësaj përmbajtjeje ose të guxonte të lyejë trupin e ndonjë laiku, le të shfaroset prej popullit të vetë”.

Erërat e mira

34 Zoti i tha përsëri Moisiut: “Merr erëra të mira: storaks, oniks, galban të erëndshëm dhe kem të pastër në pjesë të barabarta. 35 Punoje një përzierje erërash të mira si i bëjnë erëbërësit ‑ të kripur, të pastër e të shenjtë. 36 Pasi ta kesh grimcuar e bërë pluhur një pjesë prej saj, vëre para Dëshmisë në Tendën e takimit, ku do të takohem me ty: temjani të jetë për ju një gjë tejet e shenjtë. 37 Një përmbajtje të tillë mos e bëni për përdorimin tuaj: le ta kesh gjë të kushtuar Zotit. 38 Kush ta bëjë një gjë të tillë për t’ia shijuar erën e mirë, le të zhduket prej fisit të tij”.

Dalja: 31. Punëtorët e shenjtërores

31

1 Prapë Zoti foli me Moisiun e i tha: 2 ”Për emër e thirra Beseleelin, të birin e Uriut, djalit të Hurit, prej fisit të Judës 3

dhe e mbusha me shpirtin e Hyjit, me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari: 4 të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz, 5 t’i presë margaritarët e t’i vendojë; të gdhendë në dru, të kryejë çdo vepër. 6 Për shok ia dhashë Ooliabin, birin e Ahisamehut, të fisit Dan; e kam pajisur me dije zemrën e secilit mjeshtër me aftësi që t’i punojnë të gjitha ato që të kam urdhëruar: 7 Tendën e takimit, Arkën e Dëshmisë e Pajtimoren, që është mbi të, dhe të gjitha enët e Tendës, 8 tryezën dhe të gjitha veglat përkatëse të saj, shandanin e pastër me të gjitha veglat përkatëse të tij dhe lterin e kemimit 9 si dhe lterin e flive të shkrumbimit me të gjitha veglat përkatëse të tyre, legenin me fundësorin e tij, 10 petkat e stolisë e petkat e shenjta të Aronit prift dhe të bijve të tij për shërbesën e tyre priftërore, 11 pastaj vajin për shugurim dhe temjanin e erërave të mira për Shenjtërore: do t’i sendërtojnë të gjitha që të kam urdhëruar”.

Pushimi shtunor

12 Zoti foli përsëri me Moisiun e i tha: 13 ”Fol me izraelitët dhe thuaju: ‘Mbani të shtunën time, sepse është shenja ndërmjet meje e jush e vlefshme edhe për pasardhësit tuaj, që ta dini mirë se unë jam Zoti që ju shenjtëroj. 14 Mbajeni, pra, të shtunën, sepse e shtuna është e shenjtë për ju. Kush ta çnderojë, le të vritet, e kush të punojë atë ditë, le të shqimet prej popullit të vet. 15 Punoni gjatë gjashtë ditëve; e shtata ditë është e shtunë ‑ pushim i shenjtë në nder të Zotit: kushdo të punojë në këtë ditë, le të vdesë! 16 Le ta ruajnë, pra, izraelitët të shtunën dhe le ta kremtojnë brezni më brezni, sepse është besëlidhje e përhershme 17 mes meje e bijve të Izraelit dhe shenjë e gjithmonshme. Paj, gjatë gjashtë ditëve Zoti e bëri qiellin e tokën, e të shtatën ditë e la punën e mori frymë”.

Moisiu merr rrasat e Besëlidhjes

18 Kur Zoti kreu së foluri me Moisiun në malin Sinai, ia dha dy rrasat e Dëshmisë, rrasa të gurta të shkruara me gishtin e Hyjit.

Dalja: 32. Viçi i artë

32

1 Kur populli pa se Moisiu po vononte të zbresë nga mali, u bashkua te Aroni e i tha: “Ngritu e na i puno disa hyjni që të na prijnë! Nuk dimë se çfarë i ka ndodhur atij njeriu, Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit.” 2 Aroni u përgjigj: “Ua hiqni vathët e artë prej veshëve grave të bijve tuaj, e të bijave tuaja, e bini tek unë.” 3 Mbarë populli bëri siç i urdhëroi Aroni dhe ia solli vathët. 4 Pasi i mori këta dha të punohet me daltë trajta e viçit dhe me ta e punoi viçin e metaltë. Ata thanë: “Ja, hyjnitë e tua, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit.” 5 Kur pa Aroni dha të punohet një lter para trupores dhe me zë të zëdhënësit shpalli: “Nesër do të festojmë në nder të Zotit”.

6 Të nesërmen, mëkuan heret, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. Atëherë populli u ul të hajë e të pijë. Pastaj u ngrit të defrejë.

Zoti e vë në dijeni Moisiun

7 Por Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. 8 E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!”

9 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull zverkngurrtë. 10 Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros e pastaj prej teje do të bëj një popull të madh”.

Moisiu lutet për popullin

11 Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? 12 Jo, të lutem, që të mos thonë egjiptianët: ‘I nxori me dredhi që t’i vrasë në male e t’i shfarosë nga toka. ‘Le të qetësohet hidhërimi yt dhe dëftohu i mëshirshëm mbi të keqen e popullit tënd. 13 Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, për të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’”.

14 Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.

Moisiu i copëton rrasat e Ligjit

15 Moisiu u kthye dhe zbriti prej malit me dy rrasat e Dëshmisë në dorë, të shkruara në të dy anët, 16 vepër e Hyjit; edhe shkrimi ishte i Hyjit, i gdhendur në rrasa.

17 Jozuehi dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste e i tha Moisiut: “Kushtrim lufte në zemërimië”!

18 Moisiu iu përgjigj:

“S’ është brohori ngadhënjyesish,

as vaj i të vënëve në ikje:

britmë këngëtarësh unë dëgjoj”!

19 Kur iu afrua zemërimiës pa viçin e vallet. Moisiu, i hidhëruar për së tepërmi, i hodhi prej dorës rrasat dhe i copëtoi në rrëzë të malit. 20 E kapi viçin që ata kishin punuar, e dogji në zjarr dhe e thërmoi dhe e bëri pluhur, pluhurin e qiti në ujë dhe i shtrëngoi izraelitët ta pinë.

21 Atëherë i tha Aronit: “Çfarë të ka bërë ky popull që e ngarkove me më të madhin mëkat?” 22 Ai iu përgjigj: “Mos m’u hidhëro, imzot. Ti e njeh mirë këtë popull se është i gatshëm të bëjë të keqen. 23 Ata më thanë: ‘Na i puno zotat që të na prijnë; nuk dimë se çfarë i ka ndodhur këtij Moisiu, njeriut që na nxori nga dheu i Egjiptit.’ 24 Unë u thashë: ‘Kush prej jush ka ar? ‘E morën e ma prunë, unë e qita në zjarr dhe doli ky viç”.

elli i levitëve

25 E pa, pra, Moisiu se populli ishte i shfrenuar, sepse Aroni ia kishte lëshuar frerin aq sa ishte bërë lojë për kundërshtarët e tij. 26 Moisiu zuri vend në derë të zemërimiës dhe thirri: “Kush është për Zotin, le të vijë tek unë!” E rrethuan të gjithë bijtë e Levit. 27 Moisiu u tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Secili le ta ngjeshë në ijë shpatën e vet. Përshkojeni e ripërshkojeni zemërimiën derë më derë e le të vrasë secili vëllanë e mikun e të afërmin e vet’”.

28 Bijtë e Levit bënë gjithë si ju tha Moisiu: ranë vdekur prej popullit atë ditë rreth tri mijë njerëz. 29 Atëherë Moisiu u tha: “Sot iu kushtuat Zotit për shërbesë, kush me çmim të djalit, kush me çmim të vëllait të vet, që ta fitoni bekimin”.

Moisiu përsëri ndërmjetëson

30 Të nesërmen Moisiu i tha popullit: “Keni bërë mëkat të madh fort. Unë po ngjitem te Zoti; kushedi, ndoshta mund të nxjerr me lutje falje për fajin tuaj”.

31 Moisiu u kthye te Zoti e u lut: “Vaj për mua! Ky popull bëri mëkat të madh: punuan zota të artë për vete! Por falja fajin kësaj herë... 32 ose, nëse nuk e fal, atëherë më shlyej mua prej librit tënd që ke shkruar”.

33 Zoti iu përgjigj: “Do ta shlyej prej librit tim atë që ka mëkatuar kundër meje. 34 Ti shko e çoje këtë popull ku të kam thënë. Para teje do të shkojë engjëlli im. Ditën, kur do të dua të ndërmarr masat e mia, do ta ndëshkoj edhe këtë mëkat të tyre”.

35 E Zoti e ndëshkoi popullin pse e kishte punuar viçin, të punuar prej Aronit.

Dalja: 33. Urdhri i çojës

33

1 Zoti i tha Moisiut: “Çohu, nisu prej këtij vendi ti e populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit në drejtim të tokës që ia premtova me përbetim Abrahamit, Izakut e Jakobit kur thashë: Do t’ia jap farës sate. 2 Para teje do ta dërgoj engjëllin e do t’i dëboj para teje kanaanët, amorrenjtë, hetenjtë, ferezenjtë, hevenjtë e jebusenjtë, 3 e do të hysh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë... Por unë nuk do të ngjitem atje bashkë me ty, që të mos më duhet t’u qes fare gjatë udhëtimit, sepse jeni popull kokëfortë”.

4 Populli, kur e dëgjoi këtë lajm të zi, mbajti zi dhe askush nuk i veshi më petkat e stolisë.

5 E Zoti i tha Moisiut: “Thuaju izraelitëve: Je popull zverkngurrtë. Edhe një moment të vetëm po të ecja me ju, do t’ju shfarosja. Por tani hiqni stolitë tuaja, e do të shoh se çfarë duhet të bëj me ju”.

6 Izraelitët i hoqën stolitë e veta që prej malit Horeb.

Tenda

7 Moisiu e merrte për çdo çojë Tendën dhe e ngrehte për Të jashtë zemërimiës, mjaft larg zemërimiës. E quajti: Tenda e takimit. Kushdo që donte të marrë ndonjë këshillë prej Zotit, i duhej të dalë jashtë zemërimiës për të shkuar te Tenda e takimit.

8 Kur Moisiu dilte për të shkuar te Tenda, mbarë populli ngritej në këmbë e qëndronte në derë të çadrës së vet e shikonte pas Moisiut deri sa ky hynte në Tendë. 9 Kur Moisiu hynte në Tendë, zbriste shtylla e resë në derën e Tendës e aty qëndronte. Atëherë Zoti fliste me Moisiun.

10 Mbarë populli e shihte shtyllën e resë që qëndronte në hyrjen e Tendës, e të gjithë ngriheshin në këmbë e përkuleshin thellë në adhurim në derë të tendës së vet. 11 E Zoti fliste me Moisiun fytyrë për fytyrë, siç flet njeriu me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në zemërimië, kurse ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk dilte jashtë Tendës.

Lutja e Moisiut

12 Moisiu i tha Zotit: “Ti më urdhëron ta çoj këtë popull, por nuk ma zbulove kë do të dërgosh me mua. E pra, më ke thënë: ‘Të njoh për emër dhe ti e gëzon përkrahjen time’. 13 Nëse, pra, unë e gëzoj përkrahjen tënde, ma trego udhën tënde, që të të kuptoj e ta gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Mos harro se ky komb është populli yt”.

14 Zoti tha: “Unë vetë do të vij me ty e do të të jap pushim”. 15 E Moisiu vazhdoi: “Nëse ti vetë nuk vjen me ne, atëherë mos na bëj të çohemi prej këtij vendi. 16 E me çka atëherë do të dihet se kam gjetur hir para syve të tu unë edhe populli yt, po qe se nuk shtegton me ne që të mburremi unë dhe populli yt të dalluar në shenjë ndër të gjithë popujt e tjerë, që banojnë mbi tokë”?

17 Zoti iu përgjigj Moisiut: “Do ta plotësoj edhe këtë kërkesë që po bën, sepse ke gjetur hir para syve të mi dhe të njoh për emër”.

Moisiu në mal

18 Moisiu i tha: “Ma dëfto lavdinë tënde”.

19 Zoti iu përgjigj: “Unë do ta kaloj para teje tërë shkëlqimin tim, do ta kumtoj para teje emrin tim: Zot; i jap përkrahjen time kujt dua t’ia jap, e mëshiroj atë, për të cilin dua t’i bëj mëshirë”. 20 E shtoi përsëri: “Por nuk do të mund ta shikosh fytyrën time, sepse njeriu nuk mund të më shohë mua e të mbetet në jetë”. 21 Zoti shtoi edhe: “Ja, tha, ka vend këtu afër meje. Qëndro mbi shkëmb! 22 Kur të kalojë lavdia ime, do të të fus në plasën e shkëmbit e do të të mbroj me të djathtën time derisa të kaloj; 23 do ta heq dorën time e do të ma shikosh shpinën; porse fytyra ime nuk mund të shihet”.

Dalja: 34. Besëlidhja e përtëritur. Rrasat e Ligjit

34

1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Latoji dy rrasa guri si ato të parat e do të shkruaj mbi to fjalët që i patën rrasat që i theve. 2 Ji gati për nesër në mëngjes: nesër në mëngjes ngjitu në malin Sinai dhe qëndro atje në majë para meje.

3 Askush tjetër të mos ngjitet me ty, dhe të mos shihet njeri askund në mal, as bagëti të imëta e të trasha të mos kullotin përballë”.

4 Moisiu i latoi dy rrasa guri si të parat; u çua me natë e u ngjit në malin Sinai me dy rrasat në dorë siç i kishte urdhëruar Zoti.

Dëftimi i Hyjit

5 Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, afër tij dhe e shpalli emrin e Zotit. 6 Zoti kaloi përpara tij e shpalli:

“Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë,

i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë,

7 që qëndron besnik me mijëra brezni,

që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin,

por nuk lë pa ndëshkuar asgjë;

që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë,

madje në nipa ‑ në të tretën e në të katërtën brezni”.

8 Moisiu ra vrik me fytyrë përdhe, adhuroi 9e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, shtegto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurrtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde”.

Besëlidhja

10 Zoti u përgjigj: “Ja, unë po bëj besëlidhje: para mbarë popullit tënd, unë do të sendërtoj mrekulli që kurrë nuk janë parë mbi mbarë botën dhe në asnjë popull, që mbarë populli, në mesin e të cilit je, ta shohë veprën e tmerrshme të Zotit që do ta bëj me ty.

11 Pra, mbaj të gjitha që unë të urdhëroj sot. Dhe, ja, unë do ta dëboj para fytyrës sate Amorreun, Kanaaneun e Heteun, edhe Ferezeun e Heveun dhe Jebuseun. 12 Ruaju se lidh miqësi me banorët e vendeve ku do të hysh që të mos dalë për rrënimin tënd. 13 Por, rrënoji lterët e tyre, copëtoji gurngulët dhe banirët e tyre. 14 Mos adhuro zot të huaj: sepse Zoti i vërtetë quhet Zotëri Ziliqar, ‑ Hyji është ziliqar. 15

Mos lidh besëlidhje me njerëzit e atyre vendeve, që, kur lavirsohen ata me zotat e tyre e t’u kushtojnë fli, të mos thërrasë edhe ty ndonjëri e të hash prej flive të tyre. 16 Mos merr grua për bijtë e tu prej bijave të tyre, që, pasi ato të jenë lavirsuar me zotat e tyre, t’i bëjnë të lavirsohen edhe bijtë e tu me zotat e tyre.

17 Mos puno për ty zota metali të shkrirë.

18 Mbaje festën e të Pabrumeve: për shtatë ditë ha bukë të pabrume, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib; sepse në muajin e kohës pranverore dole prej Egjiptit.

19 Çdo i parëlindur mashkull, më përket mua; çdo i parëlindur qoftë i bagëtive të trasha qoftë i bagëtive të imëta, mua më përket. 20 Të parëlindurin e gomarit shpërbleje me një kokë bagëtie të imët. Në qoftë se nuk e shpërblen, përdridhja arrçin. Çdo të parëlindur të bijve të tu shpërbleje dhe mos u duk para meje duarthatë.

21 Gjashtë ditë puno, të shtatën ditë pusho; mos puno as në kohë të mbjellave as të korrjeve.

22 Festoje të Kremten e Javëve për frytet e para të korrjes së grurit ‑ dhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur bashkohen të gjitha prodhimet.

23 Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu le të paraqiten para Hyjit të Izraelit, Zotit të gjithëpushtetshëm.

24 Sepse, kur t’i shpronësoj kombet para teje e kur ta zgjeroj kufirin tënd, askush nuk do ta sulmojë tokën tënde, kur tri herë në vit të ngjitesh për t’u paraqitur në praninë e Zotit, Hyjit tënd.

25 Mos e flijo gjakun e flisë që ke caktuar për mua me asgjë që të ketë tharm; dhe asgjë prej flisë të kushtuar për të kremten e Pashkëve të mos mbesë deri në mëngjes.

26 Frytet e para të tokës sate çoji në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.

Mos e ziej edhin në qumështin e nënës së tij”.

27 Zoti i tha Moisiut: “Shkruaj këto fjalë, sepse në bazë të këtyre fjalëve e kam lidhur besëlidhjen me ty e me izraelitët”. 28 Moisiu qëndroi me Zotin dyzet ditë e dyzet net: as nuk hëngri bukë as nuk piu ujë dhe i shkroi në rrasa fjalët e Besëlidhjes ‑ dhjetë Fjalët.

Moisiu rizbret nga Sinai

29 Kur Moisiu zbriti nga mali Sinai i mbante dy rrasat e Dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit të tij me Zotin. 30 Kur Aroni e bijtë e Izraelit panë se prej lëkurës së fytyrës së tij dilnin rreze, patën frikë t’i afrohen. 31 Atëherë Moisiu i thirri Aronin e të gjithë krerët e bashkësisë e shkuan tek ai. E pasi bisedoi me ta, 32 erdhën edhe të gjithë izraelitët tek ai, dhe Moisiu u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti në malin Sinai. 33 Kur Moisiu e kreu bisedën me ta, ia qiti fytyrës një mbulesë, të cilën e hiqte kur hynte te Zoti e ndërsa bisedonte me Të, derisa dilte jashtë. 34 Kur dilte për t’u treguar izraelitëve çfarë i ishte urdhëruar, 35 izraelitët shihnin se prej lëkurës së fytyrës së Moisiut dilte dritë, por ai e mbulonte përsëri fytyrën e vet derisa nuk hynte të fliste përsëri me Zotin.

Dalja: 35. Ligji i pushimit shtunor

35

1 Moisiu e bashkoi mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit e u tha: “Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen: 2 gjatë gjashtë ditëve kryeni punët, e shtata ditë duhet të jetë për ju ditë e shenjtë, e shtunë, pushim i plotë në nder të Zotit. Kush të punojë në këtë ditë, le të vritet. 3 Ditën e shtunë as zjarr mos ndizni në banesat tuaja”.

Bashkimi i lëndës së ndërtimit

4 Pastaj Moisiu i tha mbarë bashkësisë së i zraelitëve: “Ja çka ka urdhëruar Zoti: 5 ’Ndani prej pasurisë suaj ndihmesa për Zotin’.

Çdo zemërmirë e bujar le ta kushtojë vullnetarisht ndihmën e vet në nder të Zotit: ar, argjend e bronz, 6 pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë, lesh dhish, 7 lëkura deshësh të regjura e të ngjyrosura kuq dhe lëkura delfinësh, drurë akacie, 8 vaj për të ndriçuar e erëra të mira për të përgatitur vajin e shugurimit dhe temianin për kemim, 9 gurë oniksi e margaritarë për stolisje të shpinores e të parzmores.

10 Dhe të gjithë ata ndër ju që janë mjeshtër le të vijnë e le të bëjnë çka urdhëroi Zoti, 11 d. m. th. Banesën dhe Tendën e saj, mbulesën, komçet, dërrasat me shtagat, shtyllakët e bazat; 12 Arkën dhe shtagat, Pajtimoren dhe koltrinën që vihet për ta zënë atë; 13 tryezën me shtaga e me enë dhe me bukë të kushtimit; 14 shandanin për të mbajtur dritëzat, pjesët e tija përkatëse, llambat dhe vajin për të ushqyer llambat; 15 lterin e kemimit dhe shtagat e vajin e shugurimit dhe temianin e erëndshëm; koltrinën e derës së Banesës; 16 lterin e flive të shkrumbimit dhe skarën e tij bronzi me shtagat dhe me enët e tija, legenin dhe fundësorin e tij; 17 koltrinat e tremes me shtyllakët e me bazat dhe koltrinën në hyrje të tremes; 18 kunjat e Banesës dhe të tremes me kordelet e tyre; 19 petkat e qëndisura të shërbesës në shenjtërore, petkat e shenjta të Aronit prift si dhe petkat e bijve të tij që të ushtrojnë priftërinë time”.

20 Atëherë mbarë bashkësia e bijve të Izraelit u largua prej pranisë së Moisiut. 21 Atëherë secili që ishte bujar në zemër dhe që e nxiste shpirti, erdhi e solli me vullnetin e vet ndihmesën në nder të Zotit për të punuar Tendën e takimit dhe gjithçka është e domosdoshme për kult e për petka të shenjta. 22 Erdhën trima e gra e të gjithë sollën vullnetarisht mbërthecka, vathë, unaza, bylyzykë, gjerdana dhe stoli të ndryshme ari: u mblodhën si ndihmesë në nder të Zotit. 23 Kush kishte pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe ose të kuqe të mbyllur, li të tjerrë lesh dhish, lëkura deshësh të regjura, lëkura delfinësh, 24 ndonjë gjë argjendi ose bronzi, ia kushtuan Zotit. Po edhe ata që patën ndonjë dru akacie, e prunë për ndonjë nevojë ndërtimi.

25 Po edhe gratë mjeshtre në punimin e pëlhurës, sollën të gjitha vullnetarisht pëlhura që kishin punuar ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e li të tjerrë 26 dhe lesh dhish. 27 Krerët sollën gurë oniksi dhe margaritarë, për shpinoren e parzmoren, 28 erëra të mira dhe vajra për të rregulluar llambat dhe për të përpunuar vajin e shugurimit dhe për të përgatitur temian të erëndshëm. 29 Të gjithë izraelitët ‑ burra e gra me zemër bujare sollën ndihmesë për t’i kryer ato vepra që Zoti kishte urdhëruar nëpër Moisiun ‑ i sollën këto porsi ndihmesë vullnetare në nder të Zotit.

Ndërtuesit e Shenjtërores

30 Pastaj Moisiu u tha bijve të Izraelit: “Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Beseleelin, birin e Uriut, të birit të Hurit, të fisit të Judës; 31 dhe e ka mbushur me shpirtin e Hyjit, e pajisi me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari: 32 të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz, 33 t’i presë margaritarët e t’i vendojë të gdhendë në dru, gjithçka i përket mjeshtrisë së farkëtarisë e të gdhendjes. 34 Po këtij dhe Ooliabit të birit të Ahisamehut, të fisit Dan, u dha edhe aftësinë t’i mësojnë edhe të tjerët. 35 I pajisi të dy me aftësi për të kryer me mjeshtri çdo punë të gdhendjes, të prestarisë, të qendisjes e të vekëtarisë të pëlhurave të ngjyrës vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e të lirit të tjerrë, janë të zotët të kryejnë çdo punë e të sendërtojnë të reja”.

Dalja: 36. Përfundimi i mbledhjes së ndihmesës

36

1 Beseleeli dhe Ooliabi dhe të gjithë mjeshtrit, të cilët Zoti i kishte pajisur me dije e aftësi që t’i kryejnë me mjeshtri të gjitha punimet e nevojshme për ndërtimin e Shenjtërores, i kryen të gjitha siç kishte urdhëruar Zoti.

Përfundimi i mbledhjes së ndihmesës

2 Atëherë Moisiu i grishi Beseleelin e Ooliabin dhe të gjithë ata që Zoti i kishte pajisur me mjeshtri; të gjithë ata që u dëshironte zemra t’i qepen punës e atë ta kryejnë. 3 I morën prej Moisiut të gjitha ndihmesat që kishte dhënë populli i Izraelit për punimet e ndërtimit të Shenjtërores. Por izraelitët vazhdonin çdo mëngjes të sillnin ndihmesa vullnetare. 4 Andaj të gjithë mjeshtrit që ndërtonin Shenjtëroren ‑ secili nga puna që i ishte në krye ‑ erdhën te Moisiu 5 e i thanë: “Populli po bie më shumë se lypet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet.” 6 Atëherë Moisiu urdhëroi të shpallet me zë të kasnecit: “As burrë as grua të mos sjellë më asgjë si ndihmesë për Shenjtëroren.” Kështu, pra, u ndalua të sillen më dhurata, 7 sepse dhuratat që kishin sjellë ishin të mjaftueshme, madje edhe tepronin.

Banesa

8 Dhe kështu më të dijshmit njerëz ndër mjeshtrit e punuan Banesën. E punuan me dhjetë koltrina prej pëlhure të lirit të tjerrë me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur me kerubinë të qendisur me mjeshtri. 9 Gjatësia e çdo koltrine ishte njëzet e tetë kutë e gjerësia katër kutë: të gjitha koltrinat kishin të njëjtën masë. 10 I bashkoi pesë koltrina kokë më kokë dhe të pesë të tjerat prapë njërën me tjetrën. 11 I punoi edhe vjegëzat prej leshit ngjyrë vjollce në kindin e njërës koltrinë në fund aty ku duhet të përpiqen po edhe në kindin e tjetrës koltrinë të fundit aty ku duhet të përpiqen. 12 I punoi nga pesëdhjetë vjegëza për secilën koltrinë, kështu që vjegëzat të binin njëra kundrejt tjetrës që të mund të lidhen njëra me tjetrën.

13 Atëherë i punoi pesëdhjetë komçarë ari që t’i kapin vjegëzat e të bëhet Banesa një tërësi. 14 I punoi edhe njëmbëdhjetë çulla me lesh dhish për mbulesë mbi Banesën; 15 gjatësia e njërit çull ishte tridhjetë kutë, kurse gjerësia katër kutë: të gjithë çullat kishin të njëjtën masë. 16 Pesë prej tyre i përpoqi veçmas e gjashtë të tjerët veçmas. 17 I punoi pesëdhjetë vjegëza në buzë të çullit të fundit në vend ku përpiqen dhe pesëdhjetë në buzë të çullit në vend të përpjekjes së tjetrit që të bashkohen me njëri-tjetrin. 18 Punoi edhe pesëdhjetë komçarë bronzi me të cilët të lidhet mbulesa që të bëhet një tërësi. 19 Atëherë punoi edhe një mbulesë tjetër për Tendë prej lëkurash të regjura deshësh e prapë edhe një mbulesë tjetër përmbi të me lëkura delfinësh.

Lënda drusore

20 Atëherë i punoi prej drurit të akacies dërrasat pingule të Banesës. 21 Gjatësia e njërës dërrasë ishte dhjetë kutë e gjerësia një kutë e gjysmë. 22 Secila dërrasë kishte nga dy kunja si mbështetëse të lidhura njëra me tjetrën. Kështu i punoi të gjitha dërrasat e Banesës. 23 Prej tyre njëzet ishin në krahun e jugut që kthen prej mesditës 24 me dyzet fundra të argjendta. Viheshin dy fundra nën secilën dërrasë për dy kunjat. 25 Po ashtu edhe në krahun e Banesës që është në anën e veriut, i punoi njëzet dërrasa 26 me dyzet fundra të argjendta: nga dy fundra për secilën dërrasë. 27 Kurse në perëndim, d. m. th. në krahun e Banesës që shikon në drejtim të detit, i punoi gjashtë dërrasa 28 dhe dy të tjera për çdo kënd të Banesës përpas, 29 që ishin binake prej poshtë e deri lart të bashkuara në një tërësi. Kështu i punoi të dy dërrasat për të dy këndet, 30 kështu që ishin së bashku tetë dërrasa e gjashtëmbëdhjet fundra argjendi: d. m. th. dy fundra nën çdo dërrasë. 31 I punoi edhe tërthorcat prej drurit të akacies: pesë për t’i mbajtur dërrasat e njërit krah të Banesës 32 dhe pesë të tjera për t’i mbajtur së bashku dërrasat e krahut të tjetër; e përveç këtyre, edhe pesë tërthorca të tjera në anën e perëndimit të Banesës përballë detit. 33 Punoi edhe një tërthorcë ‑ shtagë të mesme, që për mjedis të dërrasave mbërrinte prej njërit skaj në tjetrin. 34 Dërrasat i veshi me ar. Po edhe rrathët e tyre, nëpër të cilët përshkohen tërthorcat, i punoi prej arit. Edhe tërthorcat i veshi me pllaka ari.

Tisi

35 E punoi edhe koltrinën prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë me kerubina të qendisur në të, artistikisht. 36 Për të i punoi katër shtyllakë prej drurit të akacies. Këta i veshi me ari. I punoi edhe komçartë e tyre të artë. Bazat e tyre i shkriu prej argjendit.

37 Për në hyrje të Tendës e punoi edhe koltrinën me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e me li të përpunuar të qendisur me mjeshtri. 38 I punoi edhe pesë shtyllakë me komçarët e tyre. Majët e shtyllakëve dhe shufrat i punoi prej arit, kurse bazat e tyre i shkriu prej bronzit.

Dalja: 37. Arka

37

1 Beseleeli e punoi Arkën prej drurit të akacies: dy kutë e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë; e veshi me ar të kulluar përbrenda e përjashta. 2 Përreth i punoi një brez ari.

3 I shkriu për të katër rrathë ari dhe i mbërtheu në katër këmbët e Arkës: dy rrathë në njërin krah e dy në krahun tjetër. 4 I punoi edhe dy shtaga prej drurit të akacies, të cilat i veshi me ar 5 dhe i futi në rathët që janë në krahët e Arkës, për ta mbartur Arkën.

6 E punoi edhe Pajtimoren prej arit të kulluar: të gjatë dy kutë e gjysmë e të gjerë një kut e gjysmë.

7 I punoi edhe dy kerubinë prej arit të rrahur në dy skajet e Pajtimores: 8 njëri kerubin në njërin skaj e tjetri në tjetrin skaj. Kerubinët në të dy anët i punoi një cope me Pajtimoren. 9 Kerubinët i kishin krahët të shtrirë përmbi dhe e mbronin me krahë Pajtimoren, me shikim të drejtuar në njëri‑tjetrin dhe mbi Pajtimoren.

Tryeza e bukëve të kushtimit

10 E punoi edhe një tryezë prej drurit të akacies të gjatë dy kutë, të gjerë një kut e të lartë një kut e gjysmë. 11 E rrethoi me ar të pastër e përreth ia punoi një brez të artë. 12 Ia punoi edhe buzën katër gishta të gjerë rreth e rreth e mbi të një brez të artë rreth e rreth. 13 I shkriu edhe katër rrathë të artë, të cilët i mbërtheu në katër këndet te këmbët e tryezës 14 përbri buzës; në ta i përshkoi shtagat, që të mund të mbaret tryeza. 15 Shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i rrethoi me ar. 16 I punoi edhe enët për përdorime të ndryshme të tryezës: mashtka, gota, enë e kupa për t’i njomur kushtet; të gjitha prej arit të pastër.

Shandani

17 E punoi prej arit të pastër të rrahur edhe një shandan me bazën e me shtizën e tij. Po edhe gotat, burbuqet dhe fletët i shkriu një me të: 18 në të dy anët gjashtë krahë, tre në njërën anë e tre në anën tjetër. 19 Në njërin krah tri gota në trajtën e lules së bajames si dhe burbuqet e fletët po edhe tri gota në trajtën e lules së bajames në krahun e dytë si dhe burbuqet e fletët. Po i njëjti punim ishte i gjashtë krahëve që dilnin nga shtiza e shandanit. 20 Në vetë shtizën e shandanit ishin katër gota në trajtën e lules së bajames po dhe burbuqet e fletët; 21 çdo gotë nën krahët binjakë në tri vende që të gjithë së bashku bëjnë gjashtë krahë që dalin nga një shtizë e vetme. 22 Gotat, pra, dhe krahët ishin një me të; të gjitha prej arit të pastër të farkuar. 23 Punoi edhe shtatë dritëza me lotëpresësit e tyre dhe me lotëmbajtës ku bien lotët, prej arit tejet të pastër.

24 Shandani me të gjitha pjesët përkatëse të tij peshonte një talent ari të kulluar.

Lteri i kemimit. Bagmi e erërat e mira

25 E punoi edhe lterin e kemimit prej drurit të akacies katror nga një kut gjatë e një kut gjerë dhe lart dy kutë; nga këndet e tyre dilnin brirët. 26 E veshi me ar të kulluar me skarë, brinja dhe brirë. 27 Ia punoi edhe brezin ari rreth e rreth dhe dy rrathë ari nën brezin e artë në të dy anët që të përshkohen nëpër ta shtagat që të mund të mbartet lteri. 28 Kurse shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i veshi me pllaka ari.

29 Përgatiti edhe vajin për bagmin e shugurimit dhe temianin prej erërave të pastra të kemimit.

Dalja: 38. Lteri i flive të shkrumbimit

38

1 E punoi edhe lterin e flive të shkrumbimit prej drurit të akacies katror pesë kutë me pesë e të lartë tre kutë. 2 Në katër këndet e tij i punoi brirët që ishin një tërësi me të. E mbuloi me pllaka bronzi. 3 Dhe për përdorimin e tij punoi enë të ndryshme bronzi: kusi, vegsha, kupëza, tërfurq dhe enë për të mbajtur zjarrin. 4 E punoi skarën e tij në trajtë të rrjetës, prej bronzit, nën buzën e lterit për fund të saj e deri në gjysmë të lterit. 5 I shkriu katër rrathë për aq këndet e skarës, për të futur shtagat për mbartje. 6 Edhe shtagat i punoi prej drurit të akacies dhe i mbuloi me pllaka bronzi, 7 i futi në rrathë në të dy anët e lterit. Lterin e punoi prej dërrasash, bosh nga brenda.

Legeni

8 E punoi edhe legenin prej bronzit me fundësorin e tij të punuar nga pasqyrat e grave që shërbenin në derë të Tendës së takimit.

Ndërtimi i tremes

9 E punoi edhe tremen . Në anën e jugut të tremes ishin koltrinat pëlhure liri të tjerrë njëqind kutësh; 10 shtyllakët bronzi njëzet me aq baza bronzi, kurse komçet dhe thuprat e tyre prej argjendi. 11 Po ashtu edhe në anën e veriut, koltrinat, shtyllakët, bazat, komçet e thuprat e shtyllakëve, ishin po të njëjtës masë, punimi e metali. 12 Kurse në atë anë që shikon në drejtim të perëndimit, koltrinat ishin pesëdhjetëkutshe, dhjetë shtyllakë me bazat e tyre si dhe komçet e thuprat e shtyllakëve ishin argjendi. 13 Kurse në anën e lindjes i punoi koltrinat pesëdhjetë‑ kutshe, 14 prej të cilave njëri krah kishte pesëmbëdhjetë kutë, tre shtyllakë me bazat e tyre, 15 kurse në krahun tjetër ‑ sepse ndërmjet këtyre dy anëve e punoi hyrjen ‑ po ashtu koltrinat ishin pesëmbëdhjetëkutshe, shtyllakë kishte tre e po aq baza. 16 Të gjitha koltrinat e tremes rreth e rreth ishin prej lirit të përpunuar. 17 Bazat e shtyllakëve ishin prej bronzit, kurse komçet e tyre dhe thuprat e tyre ishin prej argjendit, majët e tyre i veshi me argjend dhe të gjithë shtyllakët e tremes ishin të rrethuar me thupra argjendi. 18 E në hyrjen e saj e punoi koltrinën ‑ me mjeshtri të qendisur ‑ prej pëlhure të linjtë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur; ishte e gjatë njëzet kutë, e lartë pesë kutë, sipas masës që kishin të gjitha koltrinat e tremes . 19 Shtyllakët e hyrjes ishin katër me bazat e tyre prej bronzit. Komçet ishin sermi. Majët e shtyllakëve ishin të veshura me argjend po ashtu edhe thuprat ishin prej argjendi. 20 Të gjithë kunjat brenda Banesës ishin prej bronzit rreth e rreth.

Llogaria e metaleve të përdorura

21 Ky është shënimi i gjërave të Banesës ‑ Banesës së Dëshmisë, që u bë me urdhër të Moisiut me shërbesën e Levitëve nën drejtimin e Itamarit, birit të Aronit prift.

22 I punoi të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut Beseleeli i Uri Hurit të fisit të Judës, 23 i shoqëruar nga Ooliabi i Asihamekut të fisit Dan, që ishte mjeshtër gdhendjeje, robaqepësie dhe qendisjeje për pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe për li të tjerrë.

24 I gjithë ari që u shpenzua në punime të Shenjtërores dhe që u dha si ndihmesë ‑ ja: njëzet e nëntë talenta dhe shtatë qind e tridhjet sikla, në sikla të shenjtërores. 25 E argjend, i mbledhur me rastin e regjistrimit të bashkësisë, ja: njëqind talenta e njëmijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla, në sikla të shenjtërores, 26 ose një Beka, d. m. th. një gjysmë sikli për kokë me peshën e siklit të shenjtërores, dha secili që e kapi regjistrimi, prej njëzet vjetësh e përpjetë. Ishin: gjashtëqind e trimijë e pesëqind e pesëdhjetë të regjistruar. 27 Njëqind talentat e argjendit u shpenzuan për fundësoret e Shenjtërores dhe të koltrinave: për çdo fundësor nga një talent. 28 Me njëmijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla i punoi komçet për shtyllakë, i veshi majët e tyre dhe i punoi thuprat për ta.

29 Edhe bronz u kushtua shtatëdhjetë talenta e dy mijë e katërqind sikla. 30 Me të punoi bazat për hyrje në Tendën e takimit dhe lterin e bronzit me skarën e tij e me të gjitha enët e tija përkatëse, 31 dhe fundësoret e tremes si për rrethin ashtu edhe për hyrjen e saj dhe kunjat e Banesës dhe të tremes rreth e rreth.

Dalja: 39. Petkat e kryepriftit

39

1 Me pëlhurën ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur punuan petkat liturgjike për shërbesë në Shenjtërore. Punuan petkat e shenjta të Aronit, sikurse Zoti i ka urdhëruar Moisiut.

Shpinorja

2 Shpinoren e punuan prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur. 3 Punuan pllaka ari dhe i prenë në fije të holla që të mund t’i gërshetojnë me mjeshtri në pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe në li të dredhur. 4 Për shpinoren i punuan krahëzat që ishin të lidhura me të në dy skajet e tyre. 5 Rrypi që ishte mbi të dhe e mbante të shtrënguar, ishte i të njëjtit punim dhe një cope me të, i punuar me ar, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të tjerrë, po ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 6 I punuan edhe dy gurë oniksi, të ndryer në rrathë ari me emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në ta me mjeshtri të gdhendjes së gurëve të paçmueshëm. 7 I venduan në krahëzat e shpinores që të jenë gurë përkujtues të bijve të Izraelit, po ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

Parzmorja

8 E punuan edhe parzmoren me punim mjeshtror si shpinoren prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e me li të tjerrë, 9 katror, të dyfishtë, një pëllëmbë gjatë e gjerë. 10 Në të vunë katër radhë margaritarësh: në rreshtin e parë ishte: rubini, topazi e smeraldi; 11 në të dytin: karbunkulli, safiri e jaspisi; 12 në të tretin: hiacinti, ahati e ametisti; 13 në të katërtin: krisoliti, oniksi e berili: ishin të rrethuar me ar sipas radhës së tyre. 14 Dhe në dymbëdhjetë gurët ishin të gdhendur emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit: secili gur nga një emër, të secilit fis. 15 Në parzmore punuan vargje si teje të gërshetuar me mjeshtri, prej arit të kulluar. 16 I punuan pastaj edhe dy rrathë të artë edhe aq unaza të arta. Dy unazat i vunë në dy skajet e parzmores; 17 dy vargjet e arta i mbërthyen në dy unazat, që ishin në dy skajet e parzmores. 18 Dy majët e dy vargjeve i lidhën në dy buzët e krahëzave të shpinores në pjesën e saj të përparme. 19 I punuan edhe dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e parzmores në buzën e saj të brendshme kundër shpinores, po ashtu siç i urdhëroi Zoti Moisiut. 20 Punuan edhe dy unaza të tjera të arta, e i vunë në dy krahëzat e shpinores poshtë në krahun e saj të përparmë përbri vendit ku lidhet mbi rrypin e shpinores. 21 Atëherë e shtrënguan parzmoren me unazat e saja për unazat e shpinores me shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja rri mbi rrypin e shpinores që të mos mund të ndahet prej shpinores, po ashtu si i urdhëroi Zoti Moisiut.

Guna

22 E punuan edhe gunën e shpinores, vepër e mjeshtrit të pëlhurës, prej pëlhurës ngjyrë vjollce 23 e në mes të saj, lart, grykën për të qitur kokën, si gryka në pancir; buzën e grykës e qepën që të mos shqyhet guna. 24 Në fund të gunës, te këmbët, gjithkund përreth, i punuan prej pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë shega, 25 kurse prej arit krejt të kulluar punuan kumbonëza, që i vunë ndërmjet të shegave në pjesën e fundme të gunës gjithkund përreth, 26 kështu që të jetë një kumbonëz ndërmjet të secilës shegë: një kumbonëz e një shegë e prapë një kumbonëz e një shegë; kryeprifti i stolisur me to ecte, kur ushtronte shërbesën, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

Petkat e priftërinjve

27 I punuan edhe këmishat e linjta me mjeshtri pëlhure për Aronin e për bijtë e tij; 28 punuan edhe kësulën prej lirit të tjerrë dhe stolitë për kësula prej lirit të tjerrë, edhe të linjtat prej lirit të tjerrë, 29 brezin liri të tjerrë , ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur, me mjeshtri robaqepësi, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

Keza ‑ shenja e shugurimit

30 E punuan edhe paftën ‑ kezën e shugurimit, prej arit krejt të pastër. Shkruan në të me mjeshtri të gdhendësit “I shuguruar Zotit” 31 dhe e shtrënguan përmbi në kësulë me shirit ngjyrë vjollce, sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

32 Kështu u kryen të gjitha punimet e Banesës dhe të Tendës së takimit. Bijtë e Izraelit kryen gjithçka sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut: bënë pikërisht ashtu.

Dorëzimi i veprave të kryera Moisiut

33 Atëherë ia sollën Moisiut Banesën:

‑ Tendën, e të gjitha pjesët përkatëse të saja, komçet, dërrasat, shtagat, shtyllakët, bazat, 34 mbulesën me lëkura deshësh të regjura dhe mbulesën me lëkura delfinësh, koltrinën;

35 Arkën e Dëshmisë, shtagat, pajtimoren;

36 Tryezën, të gjitha pjesët përbërëse të saja, bukët e kushtimit;

37 Shandanin prej arit të kulluar, dritëzat në rendin e tyre dhe pjesët përkatëse të tyre, vajin e ndriçimit;

38 Lterin e artë, bagmin, temjanin me erëra të mira, koltrinën për në hyrje të Tendës;

39 Lterin bronzi, skarën e tij bronzi, shtagat e enët e tija të gjitha;

‑ Legenin dhe fundësorin e tij;

40 Koltrinat e tremes, shtyllakët me bazat e tyre, koltrinën për në hyrje në treme, litarët e saj e kunjat. Nuk mungoi asgjë prej enëve për shërbesë në Banesë, për Tendën e takimit;

41 Petkat liturgjike për të kryer shërbesën në shenjtërore priftërinjtë, petkat e shenjta të Aronit prift edhe petkat e bijve të tij, 42 i sollën bijtë e Izraelit, pikë për pikë siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

43 Moisiu, pasi i pa se të gjitha ishin kryer si duhet, i bekoi.

Dalja: 40. Të venduarit dhe shugurimi i Shenjtërores

40

1 Zoti foli me Moisiun dhe i tha: 2“Ditën e parë të muajit të parë ngrehe Banesën, Tendën e takimit. 3 Vendoje në të Arkën e Dëshmisë, atëherë Arkës vëri para koltrinën. 4 Sille tryezën e vër mbi të rendas çfarë duhet vënë. Shtjere edhe shandanin me dritëzat e tija 5 edhe lterin e artë, në të cilin digjet kemi, vëre para Arkës së Dëshmisë. Atëherë vare koltrinën në hyrje të Banesës. 6 Vendoje lterin e flive të shkrumbimit para derës së Banesës të Tendës së takimit. 7 Legenin vendoje ndërmjet të lterit dhe të Tendës së takimit dhe mbushe me ujë. 8 Tremen rrethoje me koltrina dhe në derën e saj vëre lavjerrcin. 9 Pastaj merr vaj shugurimi e lyeje Banesën dhe gjithçka është në të dhe shuguroje me pjesët përkatëse të sajat, dhe do të jetë e shenjtë. 10 Lyeje edhe lterin e flive të shkrumbimit dhe të gjitha veglat e tija dhe shuguroje lterin dhe do të jetë gjë tejet e shenjtë. 11 Lyeje edhe legenin me fundësorin e tij dhe shuguroje. 12 Afroje Aronin dhe bijtë e tij te hyrja e Tendës së takimit dhe, pasi t’i kesh larë me ujë, 13 veshe Aronin me petkat e shenjta, lyeje e shuguroje që ta ushtrojë priftërinë time. 14 Afroji edhe bijtë e tij e veshi me këmisha 15 dhe lyeji edhe ata siç e leve të atin e tyre që ta ushtrojnë priftërinë në nderin tim dhe lyerja e tyre do të jetë për ta hyrje në priftëri të përhershme në të gjitha breznitë e tyre”.

Zbatimi i urdhrave të Zotit

16 Moisiu i bëri të gjitha ato që i kishte urdhëruar Zoti: ashtu edhe bëri.

17 Kështu, pra, të parën ditë të muajit të parë të vitit të dytë u ngreh Banesa. 18 Moisiu e ngriti atë, vendosi bazat, dërrasat e shtagat dhe i ngriti shtyllakët. 19 Atëherë e shtriu tendën përmbi Banesë e mbi të vuri mbulesën e Tendës, po ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 20 Pastaj e mori Dëshminë dhe e futi në Arkë. Arkës i vuri shtagat e atëherë e vuri mbi Arkë Pajtimoren. 21 Pasi e futi Arkën në Banesë, e vari para saj koltrinën, ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 22 E vendosi edhe tryezën në Tendën e takimit në anën e veriut të Banesës, jashtë koltrinës, 23 dhe i renditi në të bukët e kushtimit siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 24 E vendosi edhe shandanin në Tendën e takimit përballë tryezës në anën e jugut të Banesës. 25 I vuri dritëzat në vendet e caktuara ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 26 E vendosi edhe lterin e artë në Tendën e takimit, para koltrinës. 27 Në të ndezi kemin e erëndshëm siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 28 Vari edhe koltrinën në hyrje të Banesës, 29 vendosi edhe lterin e flive të shkru‑ mbimit te hyrja në Banesë, në Tendën e takimit. Në të e kushtoi flinë e shkrumbimit dhe flinë bimore, siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

30 E vendosi edhe legenin ndërmjet Tendës së takimit e lterit dhe e mbushi me ujë. 31 Moisiu, Aroni dhe bijtë e Aronit i lanë duart e këmbët. 32 I lanin kur hynin në Tendën e takimit e kur afroheshin te lteri siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 33 Atëherë Moisiu e ndërtoi edhe tremen për rreth Banesës e lterit dhe e vendosi koltrinën në derën e tremës.

Kështu i dha fund punës.

Zoti e merr për pronë shenjtëroren

34 Atëherë reja e mbuloi Tendën e takimit dhe Lavdia e Zotit e mbushi Banesën. 35 Moisiu nuk mundi të hyjë në Tendën e takimit, për shkak të resë që rrinte mbi të dhe të Lavdisë së Zotit që e kishte mbushur Banesën.

Reja i udhëheq izraelitët

36 Gjatë krejt kohës së shtegtimit, kurdo që reja ngrihej prej Banesës, izraelitët çoheshin, 37 e nëse reja nuk çohej, izraelitët nuk merrnin udhëtim deri atë ditë kur ngrihej reja prej Banesës. 38 Gjatë krejt kohës së shtegtimit të tyre reja e Zotit ditën e mbulonte Banesën, kurse natën dukej në të zjarri që e shihte mbarë shtëpia e Izraelit.