Ruti: 1. Ruta e Noemia

1

1 Në kohën e Gjyqtarëve u bë zi buke në vend. Një njeri prej Betlehemit të Judës shkoi për të jetuar me gruan e me dy djemtë në dheun e Moabit. 2 Ky njeri quhej Elimelek, gruaja Noemi dhe dy djemtë e tij quheshin njëri Mahalon e tjetri Kelion. Ishin Efrataj prej Betlehemit të Judës. Kur arritën në vendin e Moabit, aty zunë vend. 3 Vdiq Elimeleku, burri i Noemisë. Mbeti kështu ajo me dy djemtë. 4 Këta u martuan me vajza moabite. Njëra quhej Orfë e tjetra Rutë. Jetuan në atë vend rreth dhjetë vjet. 5 Vdiqën të dy: Mahaloni e Kelioni. Mbeti gjallë gruaja pa djemtë e pa burrin.

6 Atëherë ajo u bë gati për t’u kthyer prej dheut të Moabit në atdhe me të dy rejat. Kishte dëgjuar se Zoti e kishte parë popullin e saj dhe se u kishte dhënë drithëra. 7 Doli pra prej dheut të mërgimit të vet me të dy rejat e veta dhe, si doli në rrugë për t’u kthyer në tokën e Judës, 8 u tha: “Shkoni në shtëpitë e nënave tuaja. Zoti pastë dhimbje për ju siç u dëftuat edhe ju të dhimbshme më të vdekurit e me mua. 9 E bëftë Zoti e gjetshi paqe në shtëpitë e burrave tuaj që do t’i keni fat”. Dhe u përqafua me to. Ato filluan të qanin me zë të lartë 10 e thanë: “Duam të vijmë me ty te populli yt”.

11 Por ajo u përgjigj: “Kthehuni, bijat e mija! Pse doni të vini me mua? Pse a do të kem më fëmijë nga kraharori im që të shpresoni se do të merrni më burrë prej meje? 12 Kthehuni, bijat e mia, shkoni! Jam tepër e plakur e nuk jam më për martesë. Po edhe sikur të ngjizja sonte e të lindja djem, 13 pse a do të donit të prisnit e të mos martoheni derisa do të rriten ata? Mosni, ju lutem, bijat e mija, mosni! Unë jam tepër fatkeqe që të mund t’ju ndihmoj: sepse dora e Zotit është ngritur kundër meje”.

14 Prapë ia filluan të qanin me zë të lartë. Orfa e puthi vjehrrën dhe u kthye; kurse Ruta nuk dëgjoi të ndahet prej vjehrrës.

15 Atëherë Noemia i tha: “Ja, u kthye kunata jote te populli i vet e te zotat e vet, shko edhe ti me të”. 16 Ajo u përgjigj: “Mos m’u vër më që të të lë e të shkoj: kudo që të shkosh ti, do të vij edhe unë, ku të jetosh ti, dua të jetoj edhe unë: populli yt do të jetë populli im, Hyji yt do të jetë Hyji im. 17 Ai dhe që do të të mbulojë ty kur të vdesësh, aty do të vdes edhe unë e aty do të jetë vendi i varrimit tim. M’i qoftë Zoti të gjitha të këqijat nëse më ndan prej teje tjetër gjë përveç vdekjes”.

18 Kur pa Noemia se Ruta ishte e vendosur të shkojë me të, s’deshi më t’i kundërshtojë as t’ia mbushë mendjen të kthehet te të vetët.

19Kështu u nisën së bashku e erdhën në Betlehem. Kur hynë në qytet, mbarë qyteti u përmallua për to. E gratë thoshin: “Po, a kjo është Noemia... ?”. 20 Ajo u thoshte: “Mos më thirrni Noemia /d. m. th. E bukura/, por Mara /d. m. th. E mjera/, sepse i Gjithëpushtetshmi më mbushi me mjerim të madh. 21 Shkova prej këndej plot me të mira dhe Zoti më ktheu duarthatë; pse, pra, të më quani Noemi, kur Zoti më bëri të mjerë, kur i Gjithëpushtetshmi më bëri të pafat”?

22 Erdhi pra Noemia bashkë me të renë e vet Rutën moabite, u kthye prej mërgimit në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit.

Ruti: 2. Ruta në arat e Boozit

2

1 Noemia kishte një kushëri nga ana e burrit. Ky ishte njeri i pasur dhe burrë i mirë. Quhej Booz. 2 Atëherë Ruta moabite po i thotë vjehrrës së vet: “Nëse më lejon, po shkoj në ara për të mbledhur kallëza që u bien korrëtarëve, ku të më lejojë bujaria e të zotit të shtëpisë.” Ajo iu përgjigj: “Shko, bija ime”!

3 Shkoi, pra, e po mblidhte kallëza pas korrëtarëve. Fati e deshi që toka të ishte prona e njërit që quhej Booz e ishte kushëri i Elimelekut. 4 Dhe, ja, ai vetë erdhi prej Betlehemit e i përshëndeti korrëtarët: “Zoti me ju”. Ata iu përgjigjën: “Zoti të bekoftë”. 5 Atëherë Boozi i tha djaloshit që mbikëqyrte korrëtarët: “E kujt është kjo vajzë”? 6 Ai iu përgjigj: “Kjo është moabitja që erdhi me Noeminë prej dheut të Moabit. 7 Bëri lutje që të mblidhte kallëzat që mbeten pas korrëtarëve. Që nga mëngjesi e deri tani qëndron në këmbë në arë dhe vetëm tani po pushon një çast”.

8 Atëherë Boozi i tha Rutës: “Dëgjo, bijë! Mos shko të mbledhësh kallëza në ara të tjera dhe mos iu ndaj këtij vendi, por qëndro pas vajzave të mia. 9 Vër mendjen: ku të shkojnë ato që të korrin, shko edhe ti pas tyre. Unë u urdhërova djelmoshave të të mos trazojë kush. Kur të të marrë etja, shko e pi ujë prej rrëshiqave që t’i kenë mbushur djelmoshat”. 10 Ajo atëherë ra me fytyrë përdhe, u përkul me nderim e tha: “Nga e kam këtë nder që të gjej hir para syve të tu e të kujdesesh për mua që jam një grua prej një vendi të huaj”? 11 Por ai iu përgjigj: “Më kanë treguar gjithçka ke bërë për vjehrrën tënde pas vdekjes së burrit tënd dhe si i ke lënë prindërit e tu e vendin ku ke lindur, dhe ke ardhur në një popull që nuk e ke njohur më parë. 12 Të shpërbleftë Zoti për veprën që ke bërë e marrsh shpërblimin e plotë prej Zotit, Hyjit të Izraelit, tek i cili erdhe dhe nën krahë të të cilit u strehove”. 13 Ajo tha‑: “Oh, sikur t’u pëlqeja gjithmonë syve të tu, imzot! Ti më ngushëllove dhe i dhe guxim shërbëtores sate, megjithëse nuk jam as si cilado ndër shërbëtoret e tua”.

14 Kur u bë koha e drekës, Boozi i tha: “Eja këtu e ha bukë dhe ngjyje kafshatën tënde në uthull!” Ajo u ul përbri korrëtarëve, i dha kaçamak me miell elbi. Hëngri e u ngi dhe i mblodhi tepricat. 15 Atëherë u ngrit dhe mblodhi kallëza. Boozi u urdhëroi shërbëtorëve të vet: “Le të mbledhë edhe ndërmjet duajve e mos ia ndaloni. 16 Madje lërini edhe ju vetë t’ju bien kallinj edhe nga duajt që t’i mbledhë dhe mos ia ndaloni të mbledhë”.

17 Kështu mblodhi në arë deri në mbrëmje. Sa mblodhi, i shiu me thupër: i doli gati një masë efi elb /d. m. th. tri koshiqe/.

18 E ngarkoi dhe e çoi në qytet dhe ia tregoi vjehrrës sa kishte mbledhur. Pastaj nxori edhe sa i kishte tepruar prej ushqimit dhe ia dha.

19 Atëherë i tha e vjehrra: “Ku ke mbledhur sot? Ku ke punuar? Qoftë bekuar ai që pati dhëmbshuri për ty”! Ajo i tregoi te kush kishte punuar e tha: “Ai njeri quhet Booz”. 20 Atëherë Noemia i tha: “Pastë bekim prej Zotit, sepse i paska nderuar të gjallët e të vdekurit.” Pastaj shtoi: “Ai njeri ka një lidhje gjaku me ne; një prej atyre që kanë të drejtën e trashëgimit”. 21 Ruta vazhdoi: “Ai edhe më urdhëroi që të shkoj gjithnjë me korrëtarët e tij derisa t’i mbledhin të gjitha të korrat”. 22 E vjehrra i tha: “Më mirë është, bija ime, që të shkosh me shërbëtoret e tija në të korra që të të mos ndodhë ndonjë ngatërresë në ndonjë arë të tjetërkujt”.

23 Kështu, pra, u shkoi pas korrëtareve të Boozit derisa u krye korrja e elbit dhe e grurit. Dhe vazhdoi të banonte me vjehrrën e vet.

Ruti: 3. Boozi fle

3

1 Atëherë Noemia, vjehrra e saj i tha:

“Do të mundohem të të gjej një vend të qetë që të jesh e lumtur. 2 Boozin e kemi gjë nga gjaku, ai, me shërbëtoret e të cilit ke punuar në ara, sonte do ta hedhë elbin në lëmë. 3 Ti, pra, lahu, lyhu, vishu mirë dhe shko në lëmë. Kujdes të të mos shohë njeri derisa ta ketë kryer hajen e pijen. 4 Kur të ketë shkuar për të fjetur, shiko se ku fle. Atëherë afrohu, çoje leshnikun kah këmbët e bjer edhe ti aty. Ai do të të tregojë ty se ç’duhet të bësh”. 5 Ajo iu përgjigj: “Do të bëj gjithë si po më urdhëron”.

6 Ruta shkoi në lëmë dhe bëri gjithçka i kishte urdhëruar e vjehrra.

7 Boozi, pasi hëngri dhe piu e u kënaq, shkoi të flinte në krahun e skajmë të kapës së grurit, Ruta u afrua fshehtazi dhe, pasi i hoqi leshnikun e ia zbuloi këmbët, ra edhe ajo. 8 Kur ja, diku rreth mesnatës, u zgjua nga të ftohtët dhe sheh një grua ratë te këmbët e veta. 9 E pyeti: “Kush je”? Ajo u përgjigj: “Jam unë, Ruta, shërbëtorja jote. Shtrije leshnikun tënd mbi shërbëtoren tënde, sepse ty të takon e drejta e trashëgimit”.

10 “Qofsh bekuar prej Zotit, bija ime, ‑ iu përgjigj ai ‑ sepse vepra jote e fundit është më e ndershme se e para, sepse nuk kërkove të rinj të varfër as të pasur. 11 Pra, mos ki frikë, sepse gjithçka të thuash, unë do të bëj për ty. Mbarë populli që banon brenda mureve të qytetit tim e di se je grua e ndershme. 12 Jo, s’e mohoj se jam trashëgimtar, por është një tjetër që të ka më afër. 13 Pusho sonte e, kur të zbardhë drita, nëse do të dojë të të marrë ai për shkak të së drejtës së afrisë, mirë, le të të marrë, por në qoftë se ai nuk do të dojë, pasha Zotin e gjallë, do të të marr unë pa farë ngurrimi. Fli deri në mëngjes”!

14 Fjeti, pra, te këmbët e tija derisa kaloi nata. U ngrit, pra, para se njerëzit mund të dallonin njëri‑tjetrin, e Boozi i tha: “Kujdes, të mos e dijë askush se ke ardhur këtu”. 15 E vazhdoi: “Bjere mantelin që ke mbi vete, e mbaje mirë me të dyja duart”. Ajo e shtriu dhe e mbajti e ai i qiti gjashtë masë elb dhe ia vuri në krah. Ajo me të në shpinë hyri në qytet 16 dhe shkoi tek e vjehrra. Ajo e pyeti: “Ç’bëre, bija ime”? Ajo i tregoi gjithçka i kishte bërë Boozi 17 e shtoi: “Ja, më dha edhe gjashtë masë elb e më tha: ‘S’dua që të kthehesh duarzbrazët te vjehrra jote’”.

18 Noemia i tha: “Mos u shqetëso, bija ime, derisa të shohim se ç’ përfundim do të ketë puna. Ai s’do të gjejë pushim derisa sot t’i japë fund çështjes” .

Ruti: 4. Boozi martohet me Rutën

4

1 Boozi doli te dera e qytetit dhe qëndroi. Kur e pa se po kalon i afërmi, për të cilin kishte folur, i tha: “Kthehu një herë e rri këtu”, duke e thirrur për emër. Ai u kthye dhe u ul. 2 Boozi atëherë i mori dhjetë njerëz prej pleqve të qytetit e u tha: “Uluni këtu”! 3

Kur u ulën ata, i tha të afërmit: “Noemia e shet tokën e vëllait tonë Elimelekut tani që është kthyer prej dheut të Moabit. 4 Desha që ta dish e të ta them ndër sy të të gjithë pleqve të vendit tim që janë këtu ndenjur, nëse do ta trashëgosh në emër të së drejtës së trashëgimit, blije dhe e gëzofsh; por në qoftë se nuk të pëlqen, ma thuaj edhe këtë që të di se ç’më duhet të bëj. Askush nuk është i afërm përveç teje, që je i pari, dhe unë që jam i dyti”. Atëherë ai u përgjigj: “Tokën do ta blej unë”. 5 Boozi i tha: “Nëse e blen tokën prej dorës së Noemisë, atëherë duhet ta marrësh për grua edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, për t’ia mbajtur gjallë emrin e të vdekurit të afërm në trashëgimin e tij”. 6 Por ai u përgjigj: “Tërhiqem nga e drejta e afrisë; s’kam qëllim të shkatërroj pronën e familjes sime. Përdore ti të drejtën time, që po e shpall me vullnet se heq dorë.”

7 Në Izrael ishte që moti zakon që, si për blerje të trashëgimit, si për shndërrim, për të dëshmuar se hiqte dorë nga e drejta, njeriu zbathte të sandalen e vet e ja jepte të afërmit. Kjo ishte dëshmi se hiqte dorë.

8 Atëherë i afërmi i tha Boozit: “Blije ti”! Dhe e hoqi të sandalen nga këmba. 9 Atëherë Boozi u tha pleqve dhe mbarë popullit: “Ju jeni dëshmitarë se unë sot mora prej dorës së Noemisë gjithçka që kishin Elimeleku, Kelioni e Mahaloni, 10 e marr edhe Rutën moabite, gruan e Mahalonit, për grua që ta ngjall emrin e të ndjerit në trashëgimin e tij, që emri i tij të mos fshihet prej vëllezërve të tij e prej derës së qytetit të tij. Ju, pra, po e përsëris, jeni dëshmitarë sot për këtë gjë”. 11 U përgjigj mbarë populli që ishte te dera e qytetit dhe pleqtë: “Jemi dëshmitarë! E bëftë Zoti këtë grua, që po hyn në shtëpinë tënde, porsi Rakelën e Lien, të cilat që të dyja ndërtuan shtëpinë e Izraelit.

U pasurofsh në Efratë,

u bëfsh i përmendur në Betlehem!

12 Shtëpia jote si shtëpia e Faresit

që Tamara ia lindi Judës,

në saje të trashëgimtarëve

që Zoti do t’i japë prej kësaj nuseje”!

13 Kështu Boozi e mori Rutën dhe ajo u bë gruaja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti deshi e ajo ngjizi dhe i lindi një djalë.

14 Atëherë gratë i thoshin Noemisë: “Qoftë bekuar Zoti që s’lejoi të mbetesh pa të afërm, i cili pranoi ta përjetësojë familjen tënde dhe kështu t’i përmendet emri i tij në Izrael. 15 Ai do të ngushëllojë zemrën tënde e do të mbajë pleqërinë tënde. Lindi prej resë sate që të do shumë dhe është për ty shumë më e mirë se t’i kishe shtatë djem”.

16 Noemia e mori djalin dhe e vuri në prehër dhe ajo u kujdes për të.

17 Të afërmet e saj, duke u gëzuar me të, i thoshin: “Noemisë i leu djalë”! dhe ia ngjitën emrin Obed. Është babai i Isait, i babait të Davidit.

18 Këta janë brezat e Faresit: Faresit i lindi Esromi, 19 Esromit i lindi Arami, Aramit i lindi Aminadabi, 20 Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salma, 21 Salmës i lindi Boozi, Boozit i lindi Obedi, 22 Obedit i lindi Jeseu, Jeseut i lindi Davidi.