Jobi: 1. Satani e vë në provë Jobin

1

1 Na ishte dikur në tokën Hus një burrë që quhej Job. Ishte njeri i patëmeta dhe i drejtë, i cili e kishte frikë Hyjin dhe i shmangej të së keqes. 2 I kishin lindur shtatë djem e tri vajza. 3 Kishte shtatë mijë dele, tri mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomare dhe shumë shërbëtorë. Ishte ky njeri shumë i madh ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.

4 Bijtë e tij e kishin zakon të shkonin me radhë në gostitje te njëri-tjetri dhe çonin e i thirrnin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta. 5 Si kalonin ditët e gostive, Jobi i thërriste të vinin tek ai për t’i pastruar. Ngrihej heret në mëngjes dhe për secilin kushtonte fli shkrumbimi. Sepse i thoshte mendja: “Ndoshta mund të kenë mëkatuar bijtë e mi dhe e kanë mallkuar Hyjin në zemrat e veta”. Jobi vepronte kështu çdo herë.

6 E një ditë, Bijtë e Hyjit shkuan për t’u paraqitur te Zoti. Bashkë me ta qe edhe Satani. 7 Zoti e pyeti Satanin: “Nga po vjen”? Ky iu përgjigj: “E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj”. 8 Zoti e pyeti: “A mos e pe kund Jobin, shërbëtorin tim? S’e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmeta dhe i drejtë, që e ka frikë Hyjin dhe i shmanget të së keqe”.

9 Por Satani iu përgjigj Hyjit: “Pse a thua Jobi kot e druan Hyjin?! 10 Pse a nuk e ke rrethuar me gardh atë, shtëpinë e tij e gjithçka ështe e tija? Pse a nuk ia ke bekuar çdo ndërmarrje të tij dhe kështu u rrit mbi tokë pasuria e tij.

11 Por sprovo e shtrije njëherë pakësa dorën tënde e preke në gjithçka ka, pale a nuk do të mallkojë në fytyrë!” 12 Hyji iu përgjigj Satanit: “Mirë, pra! Gjithçka është në dorën tënde: por ruaju se vë dorë në të”. Satani u largua nga prania e Zotit.

13 Një ditë, kur bijtë e Jobit po hanin e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të madh, 14 ia behi lajmëtari te Jobi e i tha: “Qetë po lëronin e gomaret po kullotnin afër tyre, 15 kur ja, papritmas u sulën sabenjtë, rrëmbyen qe e gomare, shërbëtorët i prenë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

16 Ndërkohë që ky ende po fliste, erdhi një tjetër e tha: “Zjarri i Hyjit ra prej qiellit, i dogji delet e i përpiu barinjtë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

17 Po edhe ndërsa ky ende po fliste, ia behi një tjetër e tha: “Kaldenjtë u ndanë në tri çeta, i sulmuan devet, i rrëmbyen ato, i prenë barinjtë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

18 Ende ky po fliste, dhe ja, një tjetër hyri e tha: “Ndërsa djemtë e tu e vajzat e tua po hanin bukë e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të parëlindur, 19 u sul një stuhi papritmas tejet e fortë nga ana e shkretëtirës dhe i tundi katër këndet e shtëpisë. Shtëpia ra, i shtrydhi fëmijët e tu e mbetën vdekur, e shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm të zi”.

20 Atëherë Jobi u çua në këmbë, i shqeu petkat e veta, e rroi kokën, ra me fytyrë përdhe në adhurim 21 dhe tha:

“Lakuriq dola nga kraharori i nënës

e lakuriq do të kthehem atje.

Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë;

si ka dashur Zoti, ashtu u bë:

qoftë bekur Emri i Zotit”!

22 Në të gjitha këto fatkeqësi Jobi nuk mëkatoi dhe s’e tha me gojën e vet asnjë marrëzirë kundër Hyjit.

Jobi: 2. Satani

2

1 Një ditë tjetër, kur Bijtë e Hyjit shkuan të paraqiten para Zotit, shkoi me ta edhe Satani për t’u paraqitur tek ai. 2 Zoti iu drejtua Satanit: “Nga po vjen?” Satani iu përgjigj: “E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj”.

3 Atëherë Zoti i tha Satanit: “A mos e pe kund shërbëtorin tim Jobin? S’e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmetë e i drejtë, që e ka frikë Hyjin i shmanget të së keqes dhe që e ruan patëmetësinë e vet. Ti më ngacmove më kot kundër tij për ta dëmtuar”. 4 Satani iu përgjigj Hyjit: “Lëkura për lëkurë! Njeriu jep gjithçka ka për jetën e vet! 5 Por, sprovo e shtrije dorën tënde në ashtin e në mishin e tij e do shohësh si do të mallkojë në fytyrë!”. 6 Këndej Zoti i tha Satanit: “Ja, në dorën tënde e ke, por jetën ruaja!”. 7 Satani u largua nga prania e Zotit.

Satani e goditi Jobin me çibanë të këqij që nga shputat e këmbëve e deri në majë të kresë. 8 Jobi mori një tjegull për t’u kruar dhe shkoi e u ul në grumbullin e plehërave. 9 Atëherë e shoqja i tha:

“Po a ende po qëndron në patëmetësinë tënde?

Mallkoje Hyjin dhe vdis”!

10 Jobi iu përgjigj:

“Po flet si një grua marroqe.

Nëse nga dora e Hyjit i pranojmë të mirat, pse s’do t’i pranojmë të këqijat”?

Në të gjitha këto të këqija Jobi me buzët e veta nuk mëkatoi.

11 Ndërkaq tre miq të Jobit morën vesh për të gjitha këto të këqija që i kishin ndodhur Jobit dhe secili erdhi nga vendi i vet: Elifaz Temaniti, Baldad Suhiti dhe Sofar Naamatiti. Ishin marrë vesh ndër vete të shkonin së bashku për ta parë e për ta ngushëlluar. 12 Prej së largu ia lëshuan sytë, por nuk e njohën. Atëherë ia plasën vajit me zë të lartë, i shqyen petkat, dhe hodhën pluhur në ajr mbi kokat e veta. 13 Atëherë u ulën për tokë afër tij dhe ashtu qëndruan për shtatë ditë e shtatë net. Asnjëri s’mundi t’ia thotë asnjë fjalë, sepse e panë se dhimbje e tij ishte tepër e madhe.

Jobi: 3. Jobi e mallkon ditën e lindjes së vet

3

1 Dikur Jobi e hapi gojën dhe e mallkoi ditën e lindjes së vet. 2 Foli e tha:

3 U shoftë dita kur unë leva

edhe nata kur u tha:

“Një njeri sonte u ngjiz”!

4 Ajo ditë errësirë u bëftë,

nga lart Hyji mos e paftë,

drita e diellit mos e ndrittë!

5 E errësoftë muzgu dhe hija e vdekjes,

errësira mbi të mbretëroftë,

me hidhërim ajo u mbuloftë!

6 Humnera e errtë atë natë e marrtë,

ndër ditë të vitit mos u njehtë,

as ndër muaj mos u numëroftë!

7 Ajo natë mbettë qyqevetëm,

kurrëfarë lavdi për të mos u thëntë!

8 E mallkoftë kush e mallkon ditën,

kush është i zoti ta zgjojë Lugatin!

9 U errësofshin yjet e muzgut të saj;

e prittë dritën e mos i daltë,

mos i paftë qerpikët e agimit,

10 që s’ma mbylli kraharorin e nënës

të mos shikoja me sytë e mi dhimbjet!

11 Përse s’vdiqa brenda në krahëror?

Përse s’vdiqa porsa linda?

12 Përse më mori nëna në prehër?

Përse mëkuar qeshë nga gjinjtë?

13 Tani vetë në gjumë do të pushoja,

i qetë do të flija në gjumë të përhershëm

14 me mbretër e princa të dheut

që në shkretëtirë ndërtojnë varreza,

15 o me princa me ar të pasur,

me argjend që i mbushin shtëpitë.

16 Nuk do të isha si deshtaku,

si i ngjizuri që dritë s’pa.

17 Atje poshtë s’çojnë krye mëkatarët,

Atje poshtë pushim gjejnë të këputurit.

18 Skllevërit atje në paqe prehen,

strumbullari i rojës s’i ngacmon.

19 Atje është i vogli e i madhi;

skllavi është i lirë nga i zoti.

20 Pse i mjeri të dalë në dritë?

Pse shpirtathti ndopak të jetojë?

21 Kush pret vdekjen e s’i vjen,

që e kërkon më shumë se arin,

22 që me shpirt vdekjes i gëzohet,

që në varrezë e pret gëzimin?

23 Njeriu që nuk ka rrugëdalje,

të cilit Zoti ia zë shtigjet.

24 Për ushqim kam gjëmët e mia,

ujë vërshimi klithma ime.

25 Çka unë droja, ajo më gjeti,

ç’kisha frikë pikërisht ajo më ndodhi.

26 S’kam qetësi as paqe në jetë,

dhembjet më mbysin, s’më lanë pushim!

Jobi: 4. Besimi në Hyjin

4

1 Atëherë foli Elifaz Temaniti e tha:

2 “Nëse provojmë tani të të flasim,

a thua rëndë ke për ta pasur?

Por kush mund t’i bëjë vend fjalës?

3 Se sa njerëzit ti i ke mësuar!

Sa duar të lodhura ke forcuar!

4 Me fjalë të tua sa të mekur përtërire,

sa gjunjë të lodhur në fuqi i forcove!

5 Tani që ty prova të ka gjetur

të lëshon zemra...

e kur ty të takoi të vuajsh

je habitur, s’di të qëndrosh.

6 Përshpirtnia borri besimin,

pafajësia ta humbi shpresën?!

7 Mendo të lutem: I pafajshmi kur mbaroi?

Të drejtët kur u asgjësuan?

8 Sa unë pashë: Kush lëron të keqen,

në mbjelltë mjerim atë dhe korr.

9 Në frymë të Hyjit ata sosen,

nga zemërimi i tij mbarojnë.

10 Ulërima e luanit edhe britma e luaneshës

u thërmuan, copë u bënë

dhëmbët klyshëve të luanëve.

11 Ngordh luani pse s’gjen pre,

shpërndahen zogjtë e luanit!

12 Si rrëshqitas më erdhi fjala,

pëshpëritjen ma ndjeu veshi,

13 në tmerr vegimi që sjell nata,

kur njeriun e pushton gjumi,

14 frikë e tmerr krejtësisht më pushtuan,

deri në eshtra më përshkuan të dridhmet!

15 Një frymë flladi fytyrës më kaloi,

flokët e kresë m’u çuan përpjetë...

16 Para më doli dikush që s’e njihja,

pamja e tij s’ m’u hiqte sysh,

si fllad ere zërin ia dëgjova:

17 “Para Hyjit a ka njeri të drejtë,

vallë a ka të pastër para Basit të vet”?

18 As shërbëtorëve të vet më s’u beson,

kur deri në engjëj Ai fajin e gjen.

19 Aq më shumë në banorë kasollash

që themelet i kanë në pluhur!

Ata ndrydhen porsi tenja.

20 Për një ditë birren e zhduken,

pa vënë re papritmas zhduken.

21 Zjarri u fiket, u mbyllet dera,

vdesin e urtësisë s’ia mbërrijnë.

Jobi: 5. Cilit shenjt do t’i drejtohesh?

5

1 Thirr, pra, e shih a të përgjigj kush!

Cilit shenjt do t’i drejtohesh?

2 Vërtet të marrin e mbyt hidhërimi,

marroqin smira e vret.

3 Pashë se i marri thellë lëshon rrënjë,

e mallkova dhe iu shua shtëpia!

4 Bijtë e tij s’do të përparojnë,

në kuvend të burrave kush s’i mbron.

5 Të uriturit ua hanë të korrat,

vetë Hyji ua heq nga goja,

pasurinë ua përpijnë të etshmit.

6 Pra prej pluhurit s’del fajësia,

as prej dheut nuk lindin dhimbjet.

7 Por njeriu e pjell të keqen,

si shpiponja që kap lartësinë.

8 Sa për mua Zotit do t’iu lutja,

lutjen vet do t’ia drejtoja Hyjit,

9 që punë të mëdha e të pashqyrtueshme,

mrekulli bën të pakufi,

10 që me shi tokës ia lag fytyrën,

që i ujit fshatrat me ujë,

11 që në lartësi i ngreh të përvuajturit,

që i ngrit të mjerët nga fatkeqësia,

12 që të paudhëve ua zhduk synimet,

hi i bën fitmat e tyre,

13 në dredhi të vet dinakët i zë,

ua hedh në ajër të mbrapshtëve shestimet.

14 Ditën natë ua bën të errët,

dielli pishë ata nuk shohin,

15 Kurse të mjerin e shpëton,

nga shpata e gojës së tyre;

skamnorin nga dhunëtari.

16 Ai është shpresa e të vobekëtit,

mbrapshtia do ta qepë gojën!

17 Lum njeriu që e qorton Hyji!

Qortimin pranoja të Lumit!

18 Plagos po, por dhe shëron,

godet po, por edhe shëron!

19 Nga gjashtë të këqija do të shpëtojë,

kurse e shtata nuk do të prekë!

20 Në uri do të të shpëtojë nga vdekja,

edhe në luftë nga tehu i shpatës.

21 Do të të fshehë nga e keqja e gjuhës

e prej cubash s’do të kesh frikë.

22 Në shkretim dhe uri do të qeshësh,

egërsirat s’do t’i druash.

23 Me gurët e arës do të gjejsh marrëveshje,

me egërsira do të jesh në paqe.

24 Do të jetë në paqe tenda jote

kur në banesën tënde të kthehesh,

nuk do të ndodhë asnjë e papritur.

25 Do të shikosh si fara të shtohet,

djemtë e tu si bari i tokës!

26 Në varr do të hysh pas jetës fatlume

porsi gruri kur mirë piqet.

27 Është e vërtetë që s’e lot topi:

dëgjo pra, për të mirën tënde”!

Jobi: 6. Njeriu i ndrydhur nga vështirësia njeh vetëm mjerimin e vet

6

1 Jobi e mori fjalën e tha:

2 “Po të peshohej sëmundja ime,

mjerimi im të vihej në peshore!

3 Më i rëndë do të ishte se rëra e detit...

prandaj me fjalë edhe e teproj.

4 Shigjetat e të Gjithëpushtetshmit,

thellë në mua, në trup më janë ngulur,

shpirti im helmin ua thith:

tmerri i Hyjit lufton kundër meje.

5 A garrit gomari me grazhd plot?

Pëllet, thua, lopa me grazhd plot?

6 Hahet shujta e amësht, e pakripur

e barishtet e pashije?

7 Çka oreksi im përbuzte

tani është ushqimi im.

8 Po, të shkonte në vend kërkesa ime,

çfarë kërkoj të ma jepte Hyji!

9 Të donte Hyji të më asgjësonte,

të shtrinte dorën e të më copëtonte!

10 Do të kisha së paku ngushëllimin,

do të galdoja në dhimbje të mia

që Shenjtit mohit s’i rashë!

11 Ku e kam forcën që të qëndroj?

Ç’e ardhme më pret që i durueshëm të jem?

12 Forcë shkëmbore është forca ime?

A thua i bronztë është mishi im?

13 Në çka vetveten mund të mbështes?

Pse a fuqia s’më ka lëshuar?

14 T’i mohosh mikut ngushëllimin

të Gjithpushtetshmit frikën flake.

15 Vëllezërit mua në gënjeshtër më lanë

porsi shtratin përroi që shterr:

16 Ia fryn akulli ujët e turbullt,

shkrihet bora e ai vërshon;

17 mbaron bora përroi shterret,

nga vapa shtrati i thahet!

18 Për shkak të tij lanë turmat rrugën,

shkretinë marrin, humbin jetën.

19 Turma e Temës në të i ngul sytë,

të Sabës udhëtarët në të e vunë shpresën!

20 Sharruan sepse shpresuan,

mbërrinë tek ai e i mbuloi mjerimi.

21 Të tillë për mua edhe ju sot jeni,

më patë mjerimin e u kapi frika!

22 A thua ju thashë: Më ejani në ndihmë,

më jepni lëmoshë prej kamjes suaj?

23 Ose: Më shpëtoni prej dorës së armikut,

prej dorës së të fortit më nxirrni mua?

24 Më mësoni e do të hesht:

më tregoni nëse kam gabuar!

25 Pse fshiheni nën fjalët të së vërtetës

e asnjëri s’mund të më qortojë?

26 Fjalë ujdisni vetëm për të mposhtur,

i merr era fjalët e të dëshpëruarit.

27 Suleni mbi bonjakun e varfër,

mikun tuaj mundoheni ta shkatërroni.

28 Atëherë ju lutem, kthehuni nga unë,

para jush vet rrena s’do të përdor.

29 Prapa fjalën! Në mua faj nuk ka!

Prapa fjalën: Drejtësia është me mua!

30 Në buzët e mia a mos ka marrëzirë?

Çdo mjerim, vallë, s’shijoi qellza ime?

Jobi: 7. Ditët e tija si ditët e mëditësit?

7

1 Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut?

Ditët e tija si ditët e mëditësit?

2 Porsi të skllavit që e dëshiron hijen,

si të mëditësit të varur nga mëditja?

3 Kështu më tokuan mua muaj zhgënjimi,

net plot dhimbje për pjesë më qëlluan!

4 Nëse shkoj të bie pyetmë: Kur do të erret?

E përsëri me zor e pres mbrëmjen,

plot me dhimbje me zor e pres muzgun!

5 Trupi im qelbësirë e pluhur,

lëkura më shqyhet e më copëtohet.

6 Më kaluan ditët më shpejt se druga e

vegjëtarit,

u sosën, mbetën pa pe.

7 Mos harro: avull është kjo jeta ime,

sytë e mi fat të mirë s’do të shohin.

8 Sy njeriu më s’do të më shohë:

më ngule syrin e unë sharrova!

9 Siç zhduket e kalon reja,

kështu dhe ai që në Nëntokë zbret

më lart s’ngritet!...

10 Në shtëpi të vet ai më nuk kthehet,

vendi i tij më s’do ta njohë.

11 Këndej as vetë s’kam pse të hesht,

do të flas me hidhërim të shpirtit,

do të ankohem me zemër të plasur.

12 Pse a jam det ose përbindësh

që gjithandej më ke vënë kështu në roje?

13 Nëse mendoj: ‘Shtrati do të më japë qetësi,

shtrati do të m’i lehtësojë dhimbjet’,

14 do të më tmerrosh, do të më trembësh me ëndrra,

me fantazma do të më tmerrosh.

15 Dëshiroj në litar të më shkojë jeta:

vdekur eshtrat do të më pushojnë!

16 Jam dëshpëruar, s’kam pse të jetoj,

ti më fal: krejt pa vlerë është jeta ime!

17 Ç’është njeriu që ta madhërosh?

Pse ndopak në të e mbështet zemrën?

18 Ta shqyrtosh për çdo mëngjes,

ta mbash në vërejtje orë e çast?

19 Kur prej meje do të shmangësh shikimin?

S’më lë as pështymën ta përpij!

20 Nëse mëkatova: ç’të keqe të bëra,

o Shqyrtues i njeriut të gjorë?

Përse më vure në shënjestër

sa që u bëra edhe për vete i rëndë?

21 Pse s’i shlyen mëkatet e mia,

fajësinë time pse s’e zhduk?

Do të flija tashmë në pluhur,

po të më kërkoje, më s’do të më gjeje”!

Jobi: 8. Rrjedha e papengueshme e

8

1 Fjalën mori Baldad Suhiti e tha:

2 “Po der’ kur do të flasësh kështu?

Si stuhi të buçasin fjalët!

3 Vallë thua Hyji shtrembëron të drejtën?

Lakon të drejtën i Gjithpushtetshmi?

4 Nëse bijtë e tu Atij i mëkatuan,

Ai i lëshoi në dorë të së keqes së tyre.

5 Porse ti nëse në mëngjes herët

para Tij i pafajshëm ngrihesh

e të Gjithpushtetshmit i lyp ndihmë

6 e i afrohesh i drejtë e i pastër,

menjëherë nga ti do të kthehet,

të drejtit shtëpinë do t’ia përtërijë.

7 Çka ke pasur, asgjë do të duket

në krahasim me çka do të kesh.

8 Pyet breznitë që qenë më parë,

vritie mendjen për sa të thanë të parët.

9 Jemi të djeshëm, shumë pak dimë,

pse si hije janë ditët tona

mbi këtë tokë...

10 Do të mësojnë dhe ty do të thonë,

nga zemra kështu do të të tregojnë:

11 “Papirusi a mos rritet pa lagështi,

a thua zunkthi pa ujë rritet?

12 Gjelbëron e ende pa u nxjerr,

vyshket para çdo bari tjetër.

13 Të tillë ka jetën kush harron Hyjin,

shpresa e të mbrapshtit mbaron shpejt.

14 Pe i hollë është shpresa e tij,

uzdaja e tij rrjetë merimange.

15 Nëse mbështetet në të ajo shqyhet,

nëse kapet në të ajo e lëshon.

16 Plot me lëng në diell zhvillohet,

shatorr gemat në kopsht i lëshon,

17 Nëpër shkëmbinj rrënjët i përshkon,

në qetë të gjallë i fortë jeton.

18 Por nëse hiqet nga vendi i tij:

vendi i thotë:’ Askurrë s’të kam parë!’

19 Kaq është kënaqësia e fatit të tij:

lëshon vend që të rriten të tjerët.

20 Të patëmetin nuk e flak Hyji,

as të mbrapshtit dorën s’ia ngjet.

21 Gazi prapë në buzë do të shpërthejë,

në gojën tënde brohoria!

22 Kush të urren do ta mb’lojë turpi,

shtëpia e të mbrapshtëve s’do të qëndrojë”.

Jobi: 9. Drejtësia hyjnore është mbi të drejtën

9

1 Jobi mori fjalën e tha:

2 “Vërtet e di se ashtu është:

para Hyjit kush mund të ketë të drejtë?

3 Nëse me Të do të bëjë rragatje

një në një mijë s’mund t’i përgjigjë!

4 Në mend i kthjellët e në fuqi i fortë,

e luftoi kush e fitues doli?

5 I shkul malet e ato s’e dinë,

këndej‑andej me furi i sjell!

6 çrregull tokën nga vendi e luan,

tranden të gjithë shtyllakët e saj.

7 I urdhëron diellit e ai nuk lind,

nën vulë të vet yjet i ndryen.

8 Pa ndihmë të kujt ai e shtrin qiellin,

lirisht ecën mbi valë të detit!

9 Ai krijoi Arushë e Orion,

Shenjëzat dhe Yjet e Jugut.

10 Bën punë të mëdha e të pashqyertueshme,

mrekulli që s’mund të numërohen!

11 Vjen tek unë e nuk e shoh,

Më bie përbri e s’e hetoj.

12 Nëse rrëmben, kush e pengon?

Kush t’i thotë: ‘Ç’po bën?’ guxon?

13 Hyji dalë s’tërheq zemërimin:

struken ndihmësit e Rahabit!

14 Kush jam unë që t’i përgjigjem

e me ç’fjalë t’i kundërshtoj?

15 Edhe në të drejtën sikur të isha,

s’do të përgjigjja...

do ta lutja Gjykatësin tim.

16 Po edhe lutjen të ma dëgjonte,

s’do të besoja se më ka vështruar!

17 Me stuhi Ai më thërmon,

pa arsye plagët m’i shumëzon.

18 Paqe shpirtit Ai s’ m’i jep

dhe më mbulon me athtësi.

19 Në kërkon fuqi Ai është më i forti.

Nëse kërkon drejtësi ‑ kush në gjyq e thërret?

20 Pafajësinë nëse dua të kërkoj,

goja ime do të më dënojë.

Nëse të pafajshëm veten e qes,

më vërteton se jam i keq.

21 I patëmetë sikur unë të isha,

shpirti im këtë s’do ta dija,

gjithnjë jetën do të përbuzja!

22 Gjithnjë unë këndej pohoj:

e të pafajshmin edhe të mbrapshtin

Ai i zhduk...

23 Nëse ndonjë shuplakë papritmas vret,

për dëshp’rim të pafajshmit qeshet.

24 Toka u la në duar të mëkatarëve,

gjykatarëve sytë iu mbyllën!

nëse s’është Ai, kush atëherë është?

25 Ditët e mia më shpëjt se kasneci

ikën, shkuan pa parë asnjë të mirë,

26 kaluan si lundra zunkthi,

si shqiponja fluturim për gjah.

27 Nëse them: ‘Do ta harroj ankimin,

në f’tyrë do të kthillem, i gëzueshëm do të bëhem’,

28 tmerri më kap nga mendimet e mia,

pse e di prapë se s’do të më shfajësosh!

29 Nëse edhe kështu fajtor do të jem,

pse atëherë më kot unë hoqa keq?

30 Po edhe nëse me ujë bore do të lahem,

në qoftë se duart i pastroj me fí,

31 në papastërti edhe më të madhe do të më zhytësh,

petku im i qelbët do të më duket!

32 Sepse Ai njeri nuk është si unë

të cilit më duhet t’i jap përgjegje,

s’është njeri me të cilin dal në gjyq!

33 S’ka një tjetër që të na gjykojë të dyve,

mbi të dy ta çojë dorën e vet,

34 që prej meje thuprën e vet të heqë,

droja e tij më të mos më trembë.

35 Por do të flas pa kurrfarë frike,

sepse i tillë unë nuk jam në sytë e mi.

Jobi: 10. Jeta ime shpirtit tim m’i velet

10

1 Jeta ime shpirtit tim m’i velet,

shfrim të lirë ankimit do t’i jap,

do të flas në mjerim të zemrës sime.

2 I them Hyjit: ‘Mos më dëno!’

Më trego pse kështu po më gjykon?’

3 Punë e mirë të duket që më ndrydh,

përbuz veprën e duarve të tua

e u përkrah të mbrapshtëve synimin?

4 A thua sytë të mishtë i ke

e sheh ti siç shohin njerëzit?

5 Ditët e tua, vallë, si ditët e njerëzve,

vjetët e tu si koha e njerëzve,

6 fajësinë time që ta kërkosh

edhe mëkatin të ma shqyrtosh?

7 Ti e di se s’kam bërë asnjë të keqe

e prapë askush s’më shpëton nga dora jote.

8 Duart e tua, pra, mua më përftuan,

duart e tua më trajtuan, më krijuan,

pse papritmas tani po më shkatërron?

9 Të bie në mend: si baltën më punove

dhe përsëri në pluhur do të më kthesh.

10 Vallë ti vetë a nuk më mbole si qumështin

e nuk më ngjize si dorën e djathit?

11 Vetë më veshe me lëkurë e me mish,

më gërshetove me eshtra e me dej.

12 Ti më dhurove jetën edhe mëshirën,

kujdesi yt ma ruajti shpirtin.

13 Megjithatë këtë e fshehje në zemrën tënde,

e di se këtë e kishe për qëllim:

14 a mos mëkatoj të më vëresh me shumë kujdes

e s’lejon për mëkate të mos ndëshkohem.

15 I mjeri unë nëse jam fajtor!

Po edhe i drejtë në qofsha,

kokën të lartësoj unë nuk guxoj

‑ nga mjerimi e turpi i mbuluar!

16 Në qoftë se mburrem, më kap si klysh luani:

përsëri veten e madhëron mbi mua.

17 Dëshmues të ri sjell kundër meje,

ndaj meje e shton hidhërimin,

vuajtje të reja vazhdojnë mbi mua të sulen.

18 Përse më nxore nga krah’rori i nënës?

Të isha zhdukur, njeri të mos më ketë parë!

19 Do të kisha qenë porsi të mos isha,

nga kraharori i kondisur në varr!

20 Janë të shkurtëra ditët e jetës sime!

Më lejo, pra, edhe pak të gëzohem

21 derisa të nisem për udhë që s’ka kthim,

në dheun e territ e të hijes së vdekjes,

22 në tokë errësire edhe krejt të errët,

në mbretëri të vdekjes ku s’ka asnjë rregull,

ku banon tmerri i përhershëm.”

Jobi: 11. Jobi duhet ta pranojë urtinë e Hyjit

11

1 Sofar Naamatiti e mori fjalën e tha:

2”Pse a fjalëshumtit s’duhet t’i përgjigjet?

A me fjalë të shumta, thua, shfajësohet burri?

3 Përrallat tua do të bëjnë të heshtin njerëzit?

Do të përqeshësh e kush s’do të përgjigjet?

4 Ti po thua: ‘Të pastër e kam fjalën,

jam i pastër para syve të tu!’

5 Por, sikur Hyji me ty të bisedonte,

të hapte gojën e ty të kthente përgjegje,

6 t’i zbulonte fshehtësitë e Urtisë,

synimet e pashqyrtueshme të saja,

do të kuptoje se kërkon më pak,

shumë më pak se të meriton e keqja.

7 A mendon se i njeh gjurmët e Hyjit,

se e përshkon përsosmërinë e të Lumit?

8 Është më i lartë se qielli! ‑ Ç’thua atëherë?

Më i thëllë se Nëntoka! Ç’kupton?

9 Më i gjatë se toka, më i gjerë se deti!

10 Nëse shkatërron, kyç o shtrëngon

kush është në gjendje atij t’i bëjë ballë?

11 Pse të njeriut ai kotësinë e njeh,

sheh mbrapështinë edhe nëse nuk shikon.

12 Në hulli sillet edhe njeriu i mbrapshtë,

gomari i egër zotërohet me fré.

13 Edhe ti mendtë mblidhi tok,

drejt Hyjit lartësoji shuplakat,

14 flake të keqen që është në duar të tua,

padrejtësi mos lër në shtëpinë tënde.

15 Atëherë lart do ta mbash ballin,

i qëndrueshem do të jesh dhe pa frikë

16 e mjerimin në harresë do ta qesish;

do të kujtohet si ujërat që shkuan.

17 Mbrëmja jote do të ndritë si mesdita,

kur të shkojë në mend se të mbuloi terri,

për ty drita atëherë do të agojë.

18 Plot shpresë, i sigurtë do të jetosh

dhe i varrosur i qetë do të pushosh.

19 Do të pushosh e askush s’do të të trazojë,

përkrahjen tënde shumëkush do të kërkojë.

20 Kurse sytë do të sharrojnë të mëkatarëve

e për ta kund strehim nuk do të ketë,

t’u dalë shpriti: shpresa e tyre e fundit.”

 

Jobi: 12. Dija e Hyjit dëftohet gjithashtu me shkatërrime të shkaktuara nga pushteti i tij .

12

1 E mori fjalën Jobi edhe tha:

2 “Njerëz të tjerë s’paska përveç jush,

bashkë me ju do të mbarojë Urtësia!

3 Por edhe unë mendtë i kam si ju

e në asgjë më i dobët se ju nuk jam!

Këto që i dini, cili nuk i di?

4 Kush përqeshet prej mikut si unë,

ta thërrasë Hyjin ai do ta vështrojë,

në lojë pse vihet patmetësia e të drejtit!

5 ‘Mposht fatkeqin ‑ mendon kush është mirë,

Të shtyme jepi atij që këmbët i merren!’

6 Qetësi gëzojnë banesat e cubave,

jeton qetë kush Hyjin po e ngacmon,

sikur Hyjin në grusht të vet ta mbante.

7 Egërsirat pyeti e do të të mësojnë,

shpendët e qiellit e ata do të të tregojnë,

8 fol me tokën e ajo do të të mësojë,

peshq’t e deti ty do të kallëzojnë.

9 Ndër këta të gjithë cili s’e di

se të gjitha i bëri dora e Zotit?

10 Në dorë të Zotit jeta e çdo gjallese,

në dorë të tij është fryma e çdo njeriu.

11 A thua veshi s’i dalluaka fjalët

sikur qellza që shujtën shijon?

12 A thua dija s’u takuaka pleqve

e urtia njerëzve me moshë të gjatë?

13 Por në Të është urtia e fuqia,

në Të këshilli edhe mbarë kuptimi.

14 Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë?

Kë Ai kyç, askush s’mund ta lirojë!

15 Nëse e ndal ujin, gjithçka thahet,

nëse e lëshon, gjithçka rroposet.

16 Në Të është forca edhe dija,

njeh gënjyesin edhe të gënjyerin.

17 Ai këshilluesit lehtë i bën të marrë

e gjykatësve mend ua merr sa ndorja.

18 Mbretërve ua zhduk ijen

e me teje lehtë ua ngjesh.

19 Zdath priftërinjtë i vë përpara,

nga pushteti poshtë i rrëzon bujarët.

20 Në gojë fjalën gojëmbarëve ua lidh

edhe pleqtë pa urtësi i lë.

21 Mbi princër e sjell përbuzjen,

brezin trimave ua zhgjesh.

22 Humnerave ua ndrit errësirën,

hijen vdekjes në dritë të ditës e qet.

23 I rrit popujt e i asgjëson mejëherë,

të rrëzuarit Ai prapë në këmbë i çon.

24 U merr mendtë princave vendas,

i bën të enden shkretëtirës së paudhë

25 duke prekur si në terr edhe në dritë,

i bën të enden sikur të ishin të dehur!

Jobi: 13. Dëgjojeni ju bisedën time

13

1 E mori fjalën Jobi edhe tha:

2 “Njerëz të tjerë s’paska përveç jush,

bashkë me ju do të mbarojë Urtësia!

3 Por edhe unë mendtë i kam si ju

e në asgjë më i dobët se ju nuk jam!

Këto që i dini, cili nuk i di?

4 Kush përqeshet prej mikut si unë,

ta thërrasë Hyjin ai do ta vështrojë,

në lojë pse vihet patmetësia e të drejtit!

5 ‘Mposht fatkeqin ‑ mendon kush është mirë,

Të shtyme jepi atij që këmbët i merren!’

6 Qetësi gëzojnë banesat e cubave,

jeton qetë kush Hyjin po e ngacmon,

sikur Hyjin në grusht të vet ta mbante.

7 Egërsirat pyeti e do të të mësojnë,

shpendët e qiellit e ata do të të tregojnë,

8 fol me tokën e ajo do të të mësojë,

peshq’t e deti ty do të kallëzojnë.

9 Ndër këta të gjithë cili s’e di

se të gjitha i bëri dora e Zotit?

10 Në dorë të Zotit jeta e çdo gjallese,

në dorë të tij është fryma e çdo njeriu.

11 A thua veshi s’i dalluaka fjalët

sikur qellza që shujtën shijon?

12 A thua dija s’u takuaka pleqve

e urtia njerëzve me moshë të gjatë?

13 Por në Të është urtia e fuqia,

në Të këshilli edhe mbarë kuptimi.

14 Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë?

Kë Ai kyç, askush s’mund ta lirojë!

15 Nëse e ndal ujin, gjithçka thahet,

nëse e lëshon, gjithçka rroposet.

16 Në Të është forca edhe dija,

njeh gënjyesin edhe të gënjyerin.

17 Ai këshilluesit lehtë i bën të marrë

e gjykatësve mend ua merr sa ndorja.

18 Mbretërve ua zhduk ijen

e me teje lehtë ua ngjesh.

19 Zdath priftërinjtë i vë përpara,

nga pushteti poshtë i rrëzon bujarët.

20 Në gojë fjalën gojëmbarëve ua lidh

edhe pleqtë pa urtësi i lë.

21 Mbi princër e sjell përbuzjen,

brezin trimave ua zhgjesh.

22 Humnerave ua ndrit errësirën,

hijen vdekjes në dritë të ditës e qet.

23 I rrit popujt e i asgjëson mejëherë,

të rrëzuarit Ai prapë në këmbë i çon.

24 U merr mendtë princave vendas,

i bën të enden shkretëtirës së paudhë

25 duke prekur si në terr edhe në dritë,

i bën të enden sikur të ishin të dehur!

Jobi: 14. Oh, sikur ju të dinit të heshtni

14

1 Të gjitha këto që i pa syri im,

m’i ndjeu veshi, të gjitha i kuptova.

2 Sa ju dini edhe vet aq di,

në asnjë gjë s’jam më i keq se ju.

3 Prapëseprapë me të Lumin dua të flas,

dëshiroj me Hyjin të bëj rragatje,

4 kurse juve do t’jua vërtetoj,

rrenacakë se jeni e mjekë të kotë.

5 Oh, sikur ju të dinit të heshtni,

kjo do të ishte për ju urtësi!

6 Pra dëgjojini arsyet e mia,

vëruni vesh arsyeve të buzëve të mia.

7 Hyj’n për ta mbrojtur a thua gënjeshtër do të thoni?

Në mbrojtje të Tij do të përdorni dredhi?

8 Me anësi do të silleni ju për të?

Krah mendoni Hyjit në gjyq t’i mbani?

9 Si do të ndaheni nëse Ai ju shqyrton?

Si njeriun doni ta mashtroni?

10 Rëndë Ai ju do t’ju ndëshkojë

për pajë të fshehtë që i mbani Atij.

11 Po a s’ju tremb Madhëria e tij?

S’keni frikë se do t’ju sulet?

12 Pluhur në erë janë të gjitha thëniet tuaja,

pancirë balte janë pancirët tuaj!

13 Heshtni pak! Dua të flas vetë,

të dalë ku të dalë, është punë për mua!

14 Me dhëmbë të mi pse mishin tim ta ha?

Jetën time ta shqyej me duar të mia?

15 Në dashtë le të më vrasë, tjetër s’dësh’roj:

sjelljen time para Tij ta mbroj.

16 Ky guxim shpëtimin tim kumton:

sepse i mbrapshti para Tij s’mund të dalë!

17 Dëgjojeni ju bisedën time,

vëni vesh shtjellimit tim!

18 Ja: jam gati për gjykim!

Mirë e di se i pafaj dal.

19 Kush me mua do të gjykohet?

Do të hesht dhe do të vdes.

20 Por dy gjëra mos m’i bëj

para Teje s’do të tërhiqem:

21 flake tej prej meje dorën,

me tmerr tëndin mos më tremb!

22 Atëherë më pyet e do të të përgjigjem,

o po të pyes e ti më përgjigj!

23 Sa faje e mëkate bëra?

Kundërvajtjet m’i trego dhe krimet!

24 Përse faqen kështu ma fsheh?

Dhe më merr për armik tëndin!

25 Je i ashpër me gjethe që merr era,

po e përndjek një kashtërrojë të thatë!

26 Sepse më shkruan të hidhura ndëshkime,

të rinisë mëkatet m’i ngarkon,

27 këmbët ndër pranga m’i mbërthen,

të gjithë hapat m’i vrojton,

të gjitha gjurmët m’i shqyrton.

28 Porsi rrëshiq më duhet të mbaroj,

porsi petku që e bren tenja.

Jobi: 15. Vdes njeriu gjithçka i soset:

15

1 Njeriu prej femre i lindur,

ditëpakët, por plot trazime,

2 çel si lulja e shpejt vyshket,

vend pa zënë zhduket si hija.

3 Mbi një qenie të tillë vallë të hapësh sytë,

para vetes në gjyq ta ftosh?

4 Kush të pastrin e nxjerr prej të ndyrit?

Jo, askush! Kurrën e kurrës!

5 Ditët e tij nëse janë të caktuara,

numri i muajve nëse nga ti i varet,

nëse i ke vënë cak të pakalueshëm,

6 mos e vërej, por lëre në paqe

ta kryejë jetën si meditës!

7 Por ai dhe si lënda mund të shpresojë:

nëse pritet, përsëri përtërihet,

prapë prej saj pinjollët rriten;

8 nëse nën dhe i kalben rrënjët,

në qoftë se trungu i thahet në pluhur,

9 të ndiemen ujin ajo bulëzon

e qet degë si rrënjë e re.

10 Vdes njeriu gjithçka i soset:

i del fryma, ku është më?

11 Uji i detit do të avullojë,

mund të shterrë lumi e të thahet.

12 Më nuk ngjallet njeriu i vdekur,

sa të jetë qielli më nuk çohet,

më nga gjumi ai nuk zgjohet.

13 Ah sikur të më fshehshe në Sheol,

të më mbajshe fshehtë derisa të shkojë hidhërimi

e të caktoje një kohë kur të më kujtoje!

14 Vallë i vdekuri përsëri mund të jetojë?

Të gjitha ditët e ushtrisë sime

do t’i prisja derisa të vijë shndërrimi!

15 Ti do të më thirrje e unë do të përgjigjja,

do t’i gëzoheshe veprës së duarve tua.

16 Megjithëse tani m’i njeh gjurmët e mia,

porse mëkatet do të m’i falje.

17 Në thes fajet do të m’i vulosje,

por fajësinë ti do të ma shlyeje.

18 Si mali që bie, shkatërrohet,

si gurit që i ndërrohet vendi,

19 porsi uji që e thërmon gurin,

porsi shiu që e gërryen tokën:

ashtu i humb shpresën njeriut.

20 Rrah e qet ‑ përgjithmonë zhduket,

e shëmton në f’tyrë e tej e flak.

21 Do të nderohen bijtë e tij? ‑ Ai s’e di!

Do të përbuzen? ‑ S’ia pret mendja!

22 Ai veç vuan në trupin e vet,

i rënkon shpirti për jetën e vet”.

Jobi: 16. Nga padrejtësia e njerëzve në drejtësinë hyjnore

16

1 Jobi e mori fjalën e tha: 

2 “Tani sa herë veç po dëgjoj fjalë të tilla!

Të gjithë ju jeni ngushëllimtarë të mërzitshëm!

3 Vallë, s’kanë fund fjalët e thëna në erë?

Çka të ngacmon kështu të përgjigjesh?

4 Dhe unë do të mundja të flas kështu

të ishit ju në këtë gjendjen time;

rrjedhshëm fjalët mbi ju do të zbrazja,

përmbi ju kokën do të dridhja!

5 E me fjalë do t’ju forcoja,

s’do të pushoja të rrah me buzë.

6 Por, nëse flas dhembjet s’më pushojnë,

nëse hesht, prapë nuk më largohen.

7 Por tani dhimbje më molisi,

mik për shëllinë mua s’më ke lënë.

8 Rrudhat në ballë dëshmojnë kundër meje,

shpifje të rënda kundër meje thuhen,

9 me zemërim më thërmon e më përndjek,

kundër meje dhëmbët i kërcëllon,

armiku m’i ngërdhuc sytë.

10 Gojën hapën kundër meje,

më poshtërojnë e më shuplakojnë,

janë bashkuar kundër meje të gjithë.

11 Pre keqbërësit Hyji më ka dhuruar,

më lëshoi në duar të njerëzve të pashpirt.

12 Unë, ai i urti i dikurshëm,

papritmas qeshë shkatërruar,

më shtrëngoi në zverk edhe më rroposi,

shenjë të shënjestrës së vet më bëri.

13 Më shitoi me shigjeta të veta,

m’i përshkoi ijet, dhe s’iu dhimta,

në tokë ma derdhi vrerin tim.

14 Copë e grimë trupin ma bëri,

u sul në mua si vigan.

15 Përmbi lëkurë e qepa thesin,

thellë në pluhur e rrasa kokën.

16 Faqja ime u skuq prej lotëve,

e u nxinë qerpikët e mi.

17 E pra, dhunë nuk bëri dora ime,

e lutja ime ishte e pastër!

18 O moj tokë, mos më mbulo gjakun,

mos ma fsheh klithmën e dënesjes!

19 Se e kam në qiell Dëshmitarin,

atje lart atë që më njeh.

20 Mbrojtës të mi janë gjëmet e mia,

para Hyjit lot më kullon syri.

21 Heu, t’u gjykonte me Hyjin njeriu

siç gjykohet njeriu me njeriun!

22 Por shkurtuar janë ditët e mia,

po marr udhën që kthim prapa s’ka!

Jobi: 17. Po ku më për mua ka shpresë?

17

1 Fryma ime u pakua,

ditët e mia morën fund,

nuk më pret tjetër veçse varri.

2 A s’më rrethuan kudo përqeshjet?

Ç’të më shohë syri veç mjerim?

3 Vër pranë Teje i peng për mua!

S’kam kë tjetër që t’më marrë n’dorë.

4 Sepse atyre mendtë ua more,

s’do të lejosh që ata të ngadhnjejnë.

5 Si ai që shokëve u premton prenë

e fëmijëve të tij u meken sytë.

6 Më ke bërë porsi përrallë për popull,

si njeri që mund t’i pështyhet në faqe.

7 Prej trishtimit sytë më janë errësuar

e gjymtyrëve s’m’u mbeti veç hija.

8 Për këtë gjë do të çuditen të drejtët,

kundër të mbrapshtit do të nxehet i miri.

9 I patëmeti të pastër do të ruajë udhën,

dorëmiri i gjithi do të forcohet.

10 Mblidhuni të gjithë e këtu ejani,

asnjë të urtë ndër ju s’do të gjej!

11 Shkuan ditët, më mbaruan synimet,

gjë s’dësh’ron më zemra ime.

12 Natën duan ta kthejnë në ditë,

dhe përsëri pas territ nxiton drita.

13 S’kam shpresë tjetër veç të banoj në Sheol,

në errësirë shtratin e kam shtruar.

14 Kalbësirës unë i thashë: ‘Babë!’

‘Nënë e motër’ i thirra krimbat.

15 Po ku më për mua ka shpresë?

Fatin tim kush do ta vërejë?

16 Gjithçka kam, në fund të dheut do të zbresë,

në pluhur së bashku të gjejmë qetësi.”

Jobi: 18. Hidhërimi s’ndihmon asgjë kundër drejtësisë

18

1 Mori fjalën Baldad Suhiti edhe tha:

2 “Deri kur me fjalë do të gjuani?

Më parë pleqëroni e atëherë do të flasim!

3 Përse mbahemi për bagëti?

Dhe na mban për kafshë të ndyra?

4 Ti, or djalë, që vetes ia bren jetën

a për shkak tënd do të shembet bota

dhe qetat vendit do të luajnë?

5 Po se drita do t’i shqimet të mbrapshtit,

s’do të flakojë më flaka në vatër të tij.

6 Nën tendë të tij do të errësohet drita,

përmbi të dritëza do të fiket.

7 Hapi i shpejtë i ngadalësohet,

në shestime të veta do të përplaset.

8 Këmbët e tija i ranë në rrjetë,

ja po ecën në lugje i penguar!

9 Laku i fshehur këmbët ia zuri,

vjega nyjë rreptë e shtrëngon.

10 Për këmbë gracka në tokë i është fshehur,

në shteg t’kalimit kurthi e pret.

11 Nga çdo anë e frikëson droja,

gjurmë pas gjurme e përcjell.

12 Nga uria i humb fuqia,

murtaja i rri përbri

13 e ia bren pjesët e lëkurës,

i ha gjymtyrët djali i parë i vdekjes.

14 E nxjerrin nga çadra e tij,

për ta shpënë te Mbreti i Tmerrit.

15 Banon në tendën që s’është më e tija,

banesa me sulfur i stërpiket.

16 Poshtë kalben rrënjët e tija,

e përsipër gemat e tij thahen.

17 Kujtimi i tij zhduket nga toka,

në logje emri s’i përmendet.

18 Nga drita në errësirë e dëbojnë,

e tresin nga rrethi i tokës.

19 Bir as bijë në popull s’do të ketë,

dera e tij me ferrë do të mbyllet.

20 Emnesë fundi i tij për të sprapmit,

lemeri do të jetë për të parët.

21 Ja, i tillë është fati i mëkatarit,

e tillë dera që Hyjin s’e njeh”.

Jobi: 19. Besimi në ngadhnjimin përfundimtar të të drejtit

19

1 Atëherë Jobi e mori fjalën e tha:

2 “Deri kur ju kështu do të më mundoni,

do të më ndrydhni pa pushuar me fjalë?

3 Tash dhjetë herë që ju po më fyeni,

s’ju vjen turp të më shtypni në këtë mënyrë?

4 Edhe nëse gabova...

faji im me mua do të jetë.

5 A mendoni se mbi mua ngadhnjeni,

që më përmendni mjerimin tim të rëndë?

6 Së paku tani duhet ta kuptoni

se me të drejtë jo Hyji nuk më ndëshkoi

që më mbështolli në rrjetën e vet.

7 Thërras: ‘Kushtrim!’, po askush s’më përgjigjet,

unë ofshaj, por për mua drejtësi s’ka!

8 Më rrethoi në gardh nga s’dilet dot,

me terr shtegun ma mbuloi.

9 Ai më zhveshi nga nderimi,

e nga koka kezën ma hoqi.

10 Më shpartalloi gjithkah e po mbaroj,

porsi lëndën ma çrrënjosi shpresën.

11 Flakë hidh’rimit kundër meje i dha

dhe kështu më mbajti për armik të vetin.

12 U çuan bashkë çetat e tija,

hapën rrugën der te unë,

rreth e qark ma rrethuan tendën.

13 Larg m’i dëboi vëllezërit e mi,

porsi të huaj miqtë m’u larguan:

14 Vetëm më lanë të afërmit e mi,

kush më pat njohur, më ka harruar.

15 Miqtë e shtëpisë dhe shërbëtorët

po më mbajnë si të isha i huaj,

në sy të tyre jam shtegtar!

16 Thërras shërbëtorin, e s’më përgjigjet,

me gojë më duhet t’i bëjë lutje.

17 Gruaja frymën s’ma duron,

krupë ua çoj vëllezërve të mi,

18 për fëmijë u bëra lojë,

nëse në këmbë çohem, me mua tallen.

19 S’më durojnë dot këshilltarët e mi,

kë fort doja tani m’është kundërshtar.

20 Asht e lëkurë ‑ mishi shkatërruar,

s’më mbeti veç rreth dhëmbësh lëkura!

21 Dhimbje, deh dhimbje kini për mua,

së paku ju, o miqtë e mi!...

se më goditi dora e Zotit!

22 Pse më përndiqni porsi Hyji,

si s’u ngitë me mishin tim?!

23 Po të shkruheshin fjalët e mia,

të shënoheshin në ndonjë libër,

24 në gur të gjallë për amshim t’u gdhendshin

me daltë hekuri e me plumb!

25 E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin,

Ai i sprasmi përmbi dhe do të ngritet,

26 e pas kësaj lëkure që ma ropën

në mishin tim Hyjin do ta shoh.

27 Unë, unë vetë Atë do ta shikoj,

për sytë e mi s’do të jetë i huaj!

28 Nëse tanithoni: ‘Si do ta përndjekim?

Ç’arsye të gjejmë ne kundër tij?’

29 Atëherë shpatës kinia frikën,

sepse shpata e hakmerr fajësinë!

Mos harroni se gjyq ka”!

Jobi: 20. Rendi i drejtësisë nuk ka përjashtime

20

1 Fjalën e mori Sofar Naamatiti e tha:

2 “Mendja më shtyt përgjigje të të jap,

sepse në mua vlon truri i ndriçuar.

3 Me fjalë të tua paditëse më ke ngacmuar,

i dijes sime shpirti do të përgjigjë.

4 Pse a s’e di se gjithmonë,

që kur u vu mbi tokë njeriu

5 se jetëpak është gëzimi i të mbrapshtëve

se çak‑fak kalon fati i mëkatarëve.

6 Nëse der në qiell arrin madhështia e tij,

nëse me kokë ai retë ia del t’i ndeshë,

7 porsi plehu fshihet për gjithmonë,

kush e pa do të pyetë: ‘Ç’e mori?’

8 porsi ëndrra vrik do të zhduket,

do të kalojë si vegimi i natës.

9 Kush e pa më s’do ta shohë,

vendi i tij më s’do ta këqyrë,

10 të bijtë të varfrit do t’i dëmshpërblejnë,

me duar të veta plaçkat do t’i kthejnë.

11 Eshtrat e tij në lule të rinisë

bashkë me të në pluhur do të prehen.

12 Për gojë të tij e keqja ish’ e ëmbël

ai e ruante nën gjuhën e vet.

13 Ruhet mirë të mos e përpijë,

nën qellzë të vet e fsheh kujdesshëm.

14 Por ushqimi në bark i kalbet,

helm shlligash i bëhet në zorrë.

15 Pasuritë që hëngri do t’i vjellë,

Hyji vetë prej barkut do t’ia nxjerrë.

16 Thithur ka prej shlligash helm:

gjuha e shlligës do ta vrasë!

17 Mos i paftë më rrëketë e vajit,

përrenjtë që rrjedhin mjaltë e tlyen!

18 Pa e shijuar do ta kthejë fitesën,

s’do ta gëzojë tregtinë që bëri.

19 Sepse të varfërin e shkeli, e ndrydhi,

rrëmbeu shtëpitë që s’i ndërtoi.

20 Barku i tij kurrë nuk u ngop,

visarët s’do ta shpëtojnë.

21 S’la gjë për të ngopur grykësinë,

mirëqenia e tij gjatë s’do të qëndrojë.

22 Në kulm të kamjes në mjerim do të bjerë,

gjithë e keqja do të sulet mbi të.

23 Në dashtë ta fajë barkun e vet:

zemërimin Hyji do ta lëshojë mbi të.

24 Nëse armës së hekurt ia del t’i shpëtojë,

do të shitohet nga harku i bronztë.

25 Anë për anë do ta shitojë shigjeta

dhe mëlçinë rrufeja shigjetuese.

Kahdo t’ia mbajë do ta sulmojë tmerri.

26 Tmerri i frikshëm gjithkund në pritë i rri,

e djeg flaka prej askujt e ndezur:

do t’i digjet gjithçka në tendë i mbeti!

27 Qielli në dritë do të qesë mbrapshtinë e tij,

kurse toka kundër tij do të ngritet.

28 Shtëpinë e tij do ta marrë lumi,

hidhërimi i Hyjit krejtësisht do ta zhdukë.

29 Kjo është pjesa që Hyji i jep të paudhit,

trashëgimi që prej Zotit merr”.

Jobi: 21. Faktet flasin ndryshe

21

1 Jobi mori fjalën e tha:

2 “Ju lutem dëgjojini fjalët e mia,

kaq ngushëllim prej jush ta kem!

3 Më lejoni njëherë të flas

e pastaj sa të doni qeshni.

4 Vallë a ankohem kundër një njeriu,

që të mos kem pse ta humbas duresën?

5 Po më vështroni: a s’shtangoheni,

me dorë gojën a nuk do ta qepni?

6 Data më kap kur mendoj veten,

rrënqethje e tmerrshme krejt më përshkon!

7 Pse keqbërësit a pak jetojnë?

Madje plaken e në begati!

8 Bashkë me ta mbarë u shkon bami,

pinjollat ndër sy u shtohen.

9 Të sigurta i kanë shtëpitë e të qeta,

thupra e Hyjit kurrë mbi ta nuk bie.

10 Mëzetët e tyre si të askujt,

lopët iu pjellin, shterp s’u mbesin.

11 Fëmijët e tyre tufa qengjash,

djemtë u kërcejnë plot hare.

12 E luajnë cetrën e tupanin

dhe kënaqen me këngë zambaresh.

13 Në mirëqenie jeta u kalon,

plotësisht të qetë në Nëntokë zbresin.

14 E pra këta i thoshin Hyjit:

‘Na u hiq sysh!

S’duam t’i njohim udhët e tua!

15 Kush është Hyji që t’i shërbejmë?

Ç’fitesë kemi nëse Atij i lutemi?’

16 Dorën plot e kanë me të mira

pa çarë fare kokën për Hyjin!

17 A shpesh të mbrapshtëve u shuhet drita?

Kur papritmas e liga i gjen?

Sa herë të liga në zemërim u çon Hyji?

18 Pse a kashtë është ai thua në erë,

apo byk që e tret stuhia?

19 Për bamë të tij Hyji e ruan ndëshkimin?

Atë të godasë, ai vetë të paguajë!

20 Ai me sy ta shohë se vdes

e le të gjerbë nga zemërimi i Hyjit.

21 Po a thua ngushtë është për shtëpi pas vdekjes,

kur numri i muajve të tij të jetë kryer?

22 Pse a ndoshta dija i mësohet Hyjit

që i gjykon krijesat atje lart?

23 Njëri vdes me të gjitha të mirat

shumë i pasur e plot qetësi:

24 Me përmbrendëse të ngarkuara me dhjamë,

palca eshtrave pa u munguar;

25 kurse tjetri vdes në mjerim,

pa e pasë gëzuar në jetë ndoj të mirë,

26 e prapë së bashku prehen në dhe,

baras të dy me krimba të mb’luar!

27 Heu sa mirë i di mendimet tuaja,

se ç’shestoni kundër meje të thoni,

28 sepse më pyetni: ‘Ku është sht’pia e prijësit?

Ku është tenda ku banonin të mbrapshtit?’

29 Pse a s’i pyetët kalimtarët udhës?

Provat e tyre s’keni si i mohoni

30 se në ditë të vështirë keqbërësi po kursehet

dhe shpëton nga dita e zemërimit.

31 Kush për sjellje, ndër sy e qorton,

e ndëshkon kush për të këqijat që bëri?

32 Në varr përcillet me nderime,

për më tepër varri i ruhet.

33 E lehtë për të do të jetë ledina,

pas e para i shkojnë të gjithë njerëzit!

34 Ç’kuptim kanë, pra, ngushëllimet që më jepni?

Sa të gabuara janë përgjigjet tuaja”!

Jobi: 22. Hyji gjykon vetëm në emër të drejtësisë

22

1 Mori fjalën Elifaz Temaniti e tha:

2 “Çka njeriu Hyjit mund t’i vlejë?

Kur i urti vlen mezi për vete?

3 Ç’dobi i Lumi ka nëse ti je i drejtë,

ç’fiton Hyji nëse ti je i pastër?

4 Vallë të ndëshkon pse qenke i drejtë

e për këtë të qitka në gjyq?

5 A thua jo në saje të mbrapshtisë sate,

të të këqijave të tua që s’kanë numër?

6 Pa arsye vëllait peng i more,

të vobekëtin petkash e zhveshe.

7 Të etshmit ujë s’i dhe të pijë,

të uriturit s’i dhe të hajë.

8 Skamnorit tokën ia more

dhe ia dhe kujt të pëlqeu ty.

9 Me duar thatë i nisje të vejat,

bonjakëve ua theve krahët.

10 Këndej tani në rrjetë ke rënë

e po të mposht frika e papritur.

11 Drita terr të është bërë e s’sheh,

turri i ujërave po të përplas!

12 Pse thua Hyji s’është më i lartë se qielli?

Vëreje majën e yjeve: sa e lartë!

13 E ti thua:’Po ç’di Hyji?

A mund të shohë nëpër mug të reve?

14 Tis ka renë e ne s’na sheh.

Ai shëtit buzës qiellore!

15 Po a do të ndiqësh udhën e moçme,

që ndoqën njerëzit e këqij?

16 Para kohe qenë rroposur,

themelin ua mori lumi!

17 Ata Hyjit vetë i thoshin: ‘Larg prej nesh!’

dhe: ‘S’ka ç’na bën i Gjithpushtetshmi.

18 Ai shtëpitë me të mira u mbushte,

megjithëse për të s’çanin kokën.

19 Të drejtët shohin edhe gëzohen,

i pafajshmi në lojë i vë:

20 ‘Vërtet mbaroi madhëria e tyre,

pasurinë ua dogji zjarri’.

21 Me Hyjin ndrequ e pajtohu,

do të reshesh përsëri me të mira.

22 Prano Ligjin prej gojës së tij,

fjalët e tija nguli në zemër.

23 Nëse i penduar te i Lumi kthehesh,

nëse e mënjanon të keqen nga tenda,

24 nëse si pluhurin e çmon arin,

si zall lumi arin e Ofirit,

25 për ty ar do të jetë i Lumi

e argjend do të kesh me muqe.

26 Atëherë te i Lumi do të gjesh gëzime,

drejt kah Hyji do t’i lartësosh duart.

27 Do t’i lutesh e Ai do të dëgjojë,

kushtet tua në vend do t’i çosh.

28 Do të shkojë mbarë çkado të ndërmarrësh,

udhën tënde do ta ndriçojë drita.

29 Madhështorit ia ul krenarinë

e i ndihmon njeriut të përvuajtur.

30 Nga e keqja e shpëton të pafajshmin:

patëmetësia e duarve e shpëton.”

Jobi: 23. Hyji është larg dhe e keqja ngadhënjen

23

1 U përgjigj Jobi edhe tha:

2 “Edhe taniankimin e kam të hidhur,

rëndë mbi mua peshon dora e tij.

3 Sikur të dija vetë Atë ta gjeja,

oh të mbërrija deri në fron të tij!

4 Një gjykim para Tij do të hapja,

plot arsye do të ishte goja ime.

5 Do t’i ndjeja arsyet që do të më jepte,

do të kuptoja se çka Ai do të më thoshte.

6 A do të nxehej në rragatje me mua?

Jo! Mjaft do të më dukej të më dëgjonte ankimin!

7 Atëherë do të shihte nje kundërshtar të drejtë,

çështja ime do të dilte ngadhënjyese.

8 Në shkofsha në lindje Ai s’do të më dëftohet,

as në perëndim s’do ta takoja,

9 majtë n’u sjellsha askund s’do ta ndeshja,

nëse marr djathtas, syri s’do të ma shohë.

10 E pra, jetën Ai mua mirë ma njeh,

le të më sprovojë: ar i pastër dal!

11 Këmba ime gjurmëve të tija ecën,

kurrë s’e shmanga në jetë udhën e tij.

12 Pikë për pikë Ligjin ia kam mbajtur,

fjalët e tija në zemër i kam vënë.

13 Çfarë vendos kush e bën të ndërrojë?

Çka synoi Ai gjithmonë e zbatoi.

14 Do të zbatojë ç’ka në mend për mua,

si çdo tjetër që e ka shestuar.

15 Prandaj dridhem para tij,

e mendoj e frika më kap.

16 Hyji zemrën më ka ligështuar,

i Gjithpushtetshmi më ka tmerruar.

17 S’është errësira që më merr jetën,

as terri që f’tyrën më mb’lon.

Jobi: 24. Të vobekëtit nga udha i dëbojnë

24

1 Përse i Lumi nuk vrojton do kohë?

Besimtarët pse s’ia njohin ditët?

2 Të paudhit kufijtë i luajnë,

rrëmbejnë delet edhe i kullosin,

3 bonjakëve u marrin gomarin,

vejushës kaun për peng ia marrin.

4 Të vobekëtit nga udha i dëbojnë,

të shkretët së bashku detyrohen të fshihen.

5 Ja tek janë si gomarët në shkretëtirë,

dalin në punë për bukë të fëmijëve,

kërkojnë pre në kullota të njoma.

6 Korrin arat që s’janë të tyre,

vjelin vreshtat e mëkatarit.

7 Kalojnë natën pa mb’lojë, zhveshur,

s’kanë me çka të mb’lohen prej të ftohtit.

8 Lagen, ndragen malit në shi,

pa banesë qetave u qasen.

9 Nga gjiri i ndajnë jetimat,

skamnorit peng fëminë ia marrin.

10 Të zhveshur ecin pse s’kanë petka,

të uritur bartin kallinj.

11 S’kanë mulli për të shtrydhur vaj,

shtrydhin rrush e mbeten të etur.

12 Të sëmurë për vdekje rënkojnë në qytet,

të plagosurit thërrasin kushtrim,

por Hyji s’ua dëgjon luten.

13 Ata dritës i kundërshtuan,

s’deshën të dinë për udhë të tij,

dhe s’qëndruan në shtigje të tija.

14 Në mëngjes ngritet vrastari,

vret skamnorin e të vobektin.

15 Në natë të thellë lëvizin vjedhësit

16a e në errësirë shtëpitë i thejnë.

15 Syri i pushtit ruan terrin

thotë me vete: ‘Askush s’më sheh!’

e f’tyrën ia mbulon vetes.

16b Gjatë ditës të fshehur rrinë,

të gjithë ata që urrejnë dritën.

17 Për ta agimi është hije vdekjeje,

tmerri i vdekjes i kap kur zbardh drita”.

Biseda e Sofarit /pjesa e parë/

18 “Është i lehtë mbi sipërfaqe të ujit,

pjesa e tij e nëmur është mbi tokë,

dhe askush s’e mësyn vreshtin e tij.

19 Thatësia e vapa e shterrin ujin e borës,

ashtu Sheoli i përpin mëkatarët.

20 Kraharori i nënës e harroftë

ëmbëlsirë për krimba u bëftë;

s’do të kujtohet padrejtësia

e do të pritet porsi druri.

21 E mundoi gruan që s’lind,

vejushës së gjorë të mira s’i bëri.

22 Por i Lumi e rrudh të dërhuzdtin,

në kundërshtoftë, e humb shpresën e jetës.

23 E la të mendojë se s’është në rrezik,

sjelljes së tij kurrë s’ia ndanë sytë.

24 Lart për pak ngriten e zhduken,

bien poshtë si çdo gjë e vdekshme,

si një kallëz që drapri e pret.

25 Pse a s’është kështu? Kush në gënjeshtër më qet?

Poshtë mua fjalët kush mundet të m’i hedhë”?

Jobi: 25. Himni për gjithëpushtetësinë e Hyjit

25

1 Baldad Suhiti mori fjalën e tha:

2 “Në dorë të tij është pushteti e tmerri.

Ai e ruan paqen në lartësitë e veta.

3 Pse a mund të numërohet ushtria e tij?

Drita e tij mbi kë s’ndriçon?

4 E si njeriu i drejtë të jetë para Hyjit?

Bami i gruas si mund të jetë i pastër?

5 Deri hëna para tij s’bën dritë,

para tij as yjet të pastër s’janë,

6 aq më pak njeriu kalbësirë,

i njeriut bami ‑ ky krimb”!

Jobi: 26. Bisedimi i Jobit

26

1 Jobi e mori fjalën e tha:

2 “Se ç’ndihmë të fortë po i sillke të ligshtit,

ç’e forcove heu krahun e mekur!

3 Ç’këshill të mirë po i jep të padijshmit,

urtësinë tënde bukur e tregove!

4 E kujt ti kështu fjalën ia drejtove?

Ç’shpirt është ai që prej teje doli”?

Biseda e Baldadit /vazhdim/

5 “Poshtë në Nëntokë hijet gjëmojnë,

dridhen ujërat dhe banorët e tyre,

6 para tij është Sheoli cullak,

lakuriq është humnera e tmerrshme.

7 Shtrin veriun përmbi zbrazëti,

e mban tokën varur për asgjëje.

8 E kyç ujin në retë e veta,

nën peshë të tij nuk shqyhen retë.

9 Mbulon f’tyrën e fronit të vet,

mbi të shtrin mjeg’llën e vet.

10 Cak rrethues u vuri ujërave

në kufi të dritës e të errësirës.

11 Të kupës qiellore tmerrshëm trand shtyllakët,

prej frikës dridhen në qortimin e tij.

12 Me forcë të veten në fre Detin e mban,

e godet me dije të vet Rahabin.

13 Fryma e tij e kthjellon Qiellin,

dora e tij shpon Shlligë flut’ruesen.

14 Vepra të tija këto s’janë veç një pjesëz

e ne s’dëgjojmë veç një jehonë të lehtë,

të Madhërisë së tij kush bubullimën

është në gjendje ta kuptojë”?!

Jobi: 27. Biseda e Jobit /vazhdim/:

27

1 Jobi vazhdoi të tregojë poemën e vet e tha:

2 “Pasha Hyjin që të drejtën ma mori,

pasha të Lumin që ma helmoi jetën,

3 gjersa të mundem frymë të marr,

frym’n e Hyjit sa në trup ta kem,

4 buzët e mia nuk do të thonë marrëzirë,

gënjeshtër s’do të thotë jo goja ime.

5 Por kurrë juve të drejtë s’do t’ju jap,

der të më dalë shpirti: ‘I drejtë jam, do të them!

6 Drejtësinë time e mbaj, s’e lë dot,

s’më lë ndërgjegjja të skuqem në këtë jetë.

7 Armiku im pastë fatin e mëkatarit,

voftë ku i mbrapshti edhe kundërshtari im!

8 Çka vlen shpresa që ka i paudhi,

pasi Hyji ta këpusë, t’ia marrë shpirtin?

9 Vallë thua Hyji do t’ia dëgjojë klithmat,

kur të paudhin ta mbulojnë vështirësitë?

10 Do të mund të kënaqet ndoshta në të Gjithpushtetshmin?

E në ndihmë Hyjin çdo çast do ta thërrasë?

11 Të Hyjit dorën jua tregova në vepër,

s’jua fsheha shestimet e të Lumit,

12 po dhe ju të gjitha këto i patë,

pse atëherë më kot flisni ju punë boshe”?

Biseda e Zofarit: I mallkuari

13 “Ky është fati që Hyji ia ruan të mbrapshtit,

trashëgimi i njerëzve të dhunshëm që prej të Lumit marrin.

14 Në pastë shumë djem, shpata ia pret,

me bukë nipat s’do t’i ngihen.

15 Nëse i mbet kush, ia mb’lon murtaja

pa i vajtuar as të vejat e tyre.

16 Nëse sa dheu do të mbledhë argjend,

e si balta petka do të bashkojë:

17 ai i bën gati e i drejti do t’i veshë,

të pafajshmit do të ndajnë argjendin.

18 Ndërtoi sht’pinë rrjetë marimange,

porsi tendën që e ndreq rojtari.

19 Bie të flejë i pasur, por për të fundit herë,

kur të hapë sytë asgjë më nuk do të gjejë.

20 E pushton skamja porsi uji:

atë natën do ta ndrydhë stuhia.

21 Era e lindjes e merr dhe e zhduk,

si humnera nga vendi e shkul.

22 Pa mëshirë Hyji atë e përplas

e ky mundohet nga dora t’i ikë.

23 Shuplakë rrahin për bjerrjen e tij,

kudo të shkojë pas tij i fishkëllojnë”.

Jobi: 28. Urtësia e paafrueshme për njeriun

28

1 “Po, argjendi i ka vendburimet,

e ka ari vendin ku pastrohet.

2 Edhe hekuri prej dheut nxirret,

ndahet bakri nga guri i shkrirë.

3 Njerëzit territ cak i vënë,

e shkojnë deri në skaj të thellësisë

përpas gurit të errësirës e të hijes.

4 Hapin pusa larg nga vendbanimi,

edhe të këmbëve harrojnë përdorimin,

të varur dridhen e janë larg prej njerëzve.

5 Toka prej të cilës lind buka

zhbordohet brenda si ta digjte zjarri,

6 gurët e saj qilarë janë të safirit,

pluhuri i të cilit krejt është ar.

7 S’ia njeh shtegun shpendi grabitqar,

s’e vëgon as syri i skifterit.

8 Nuk e rrahën këmbët e shtazëve të egra,

nëpër të s’u përshkua luanesha.

9 Kundër shkëmbit njeriu e ngrit dorën,

fundin maleve në majë ua qet njeriu.

10 Nëpër qeta ai hap galeri,

i zb’lon syri gjërat e paçmueshme.

11 Lumenjve u shqyrton thellësitë,

i qet në dritë gjërat e fshehta.

12 Mirë por Dija ku mendon se gjendet?

Ku është vendi i Kuptimit?

13 Përbërjen s’ia di njeriu,

nuk gjendet në tokën e të gjallëve.

14 Humnera thotë: ‘Tek unë nuk është’!

pohon deti: ‘S’është në mua’!

15 Nuk fitohet me ar të kulluar,

me argjend ajo s’mund të blihet,

16 nuk vlerësohet me ar prej Ofirit,

me sardonik as me safir të paçmueshëm.

17 S’krahasohet me ar as me qelq

as s’shndërrohet me enë ari të pastër.

18 Ç’i zë në gojë korale e kristale,

është më e vlershme se perlat Urtësia!

19 I Etiopisë topazi me të s’matet,

pranë saj ari e humbet vlerën!

20 Nga, pra, Dija thua na vjen neve?

Ku është vendi i Kuptimit?

21 Mbetet fshehtë për sytë e të gjallëve,

e fshehtë mbetet edhe për shpendë të qiellit!

22 Humnera e vdekja thonë:

‘Vetëm zërin i kem’ dëgjuar!’

23 Vetëm Hyji ia di udhën,

ku qëndron veç Ai e di!

24 Ai ia sheh botës mbarimin,

gjithçka është nën kupë qiellore,

25 Kur Ai deshi erës t’i japë peshë,

e kur ujërat i peshon në peshore,

26 e kur shirave ligj u vuri

edhe udhën vetëtimës gjëmuese,

27 Ai atëherë, pra, e vlerësoi,

e përgatiti dhe e shqyrtoi.

28 Atëherë Ai i tha njeriut:

“Frika e Zotit ‑ ja ç’është Dija!

Iki të keqes ‑ ja se ç’është Urtia”!

Jobi: 29. Ankimet dhe mbrojtja e Jobit:

29

1 Jobi vazhdoi poemën e vet e tha:

2 “Oh, të m’u ktheheshin muajt e shkuar,

ato ditë kur Hyji më ruante,

3 kur mbi kokë më ndriçonte dritëza e tij,

kur në dritë të Tij çaja errësirën!

4 Të bëhesha si në rininë time,

kur si mik në tendë më vinte Hyji,

5 kur me mua ishte i Lumi

e përreth mecat e mi,

6 kur me qumësht i laja këmbët,

kur nga guri rrëke më rridhte vaji!

7 Kur unë dilja në log të kuvendit,

shkëmbin tim kur e vija në shesh,

8 më shihnin të rinjtë e iknin të fshihen,

pleqtë në këmbë brafshin e ashtu qëndronin!

9 Heshtnin prijësit, zë s’lëshonin

e me dorë gojën e mbyllnin.

10 Fisnikët zërin e rrudhnin

e për qellzë gjuha u ngjitej.

11 Kush më dëgjonte më mbante të lum,

kush më shikonte më jepte nder.

12 Pse i ndihmoja të varfrit që kërkon ndihmë

e bonjakut që kush s’e përkrah.

13 Me bekime më mb’lonte i vdekatari,

zemrës së vejës ia dhuroja gëzimin.

14 Porsi petk vishja drejtësinë,

shall të leshtë e kisha të drejtën.

15 Sy për të verbërin, këmbë për të shqeptin isha,

16 babë për të varfërin, mbrojtës për të huajin!

17 Keqbërësit turinjtë ia theja,

prej dhëmbëve ia nxirrja prenë!

18 Mendja më thoshte: ‘Në çerdhën time

plot shëngjergja unë do të vdes.’

19 Rrënja ime në ujë arrin,

gemat natën m’i lag vesa.

20 Nderi im gjithmonë në rritje,

shigjeta ime gjithnjë do të përtërihet!

21 Ma dëgjonin, fjalën më përkrahnin,

ishin të gatshëm të m’i dëgjonin këshillat.

22 Kush s’guxonte të ma presë fjalën,

mbi ta fjala si shi më rridhte!

23 Më prisnin fjalën sikur pritet shiu,

gojëhapur si në shi përtëritës!

24 Nëse u qeshja s’mund të besonin,

më vërenin në f’tyrë që të më dinë

mendimin.

25 Kur doja të shkoja ndër ta,

gjithmonë zija kryet e vendit,

rrija si mbret me ushtri rrethuar,

sepse isha ngush’llues i të mjerëve”.

Jobi: 30. B. Mjerimi i tanishëm

30

1 “Kurse tani mua më përqeshin

në moshë më të rinjtë,

të cilëve etërit s’u denjoja

t’ia vë grigjës qen për rojë!

2 Gjë nuk duhej forca e duarve të tyre,

humbur u kishte fuqia rinore,

3 dob’suar skami e urie,

endeshin nëpër shkretëtirë

të shkretuar nga stuhitë;

4 brenin barë e gjethe shkurresh,

rrënjët e dëllisë kishin ushqim.

5 Të dëbuar nga rrethi i njerëzve,

pas u britnin sikur vjedhësve.

6 Banonin brigjeve të përrenjve,

në shpella dheu edhe qetash,

7 ulërinin n’për shkurre e mreta,

nën ferra së bashku u struknin.

8 Bijtë e tyre, pjellë e poshtër,

prej vendit me dhunë të dëbuar.

9 Ata tani në bisht të lahutës më vënë

e për ta unë përrallë jam bërë.

10 U vjen të ndyrë, meje largohen,

s’ju vjen turp të më pështyjnë në f’tyrë.

11 Kukurrën hapi e më shigjetoi

e në gojë ma vuri frerin.

12 Fole shlligash në të djathtën time,

këmbët e mia i vënë në të ikur,

kundër meje sheshojnë shtigje vdekje.

13 Rrugët e mia m’i rrënuan,

më dolën në pritë edhe më mundën

dhe askush s’u kundërshton.

14 Si murit të rrënuar më sulen,

nën rrënoja u rrokullisën.

15 Edhe tmerri kundër meje u çua,

porsi era u zhduk parësia ime,

porsi reja shkoi shpëtimi im.

16 Shpirti im gjithnjë po më meket,

më pushtuan ditët e mjerimit.

17 Natën eshtrat dhimbjet m’i shporojnë,

plagët që më brejnë askurrë s’më pushojnë!

18 Më kap për petkash me tërë fuqinë,

më shtrëngon si qafeta e këmishës.

19 Në baltë më përplasi pa farë mëshire

e jam bërë krejt blozë e pluhur.

20 Në ndihmë të thërras e Ti s’më përgjigjesh,

në këmbë qëndroj e Ti s’më shikon.

21 Për mua Ti mizor u bëre,

më përndjek me dorë të fuqishme.

22 Më flak përpjetë kalor mbi erë,

poshtë më përplas me anë të stuhisë.

23 Po e shoh se në vdekje më shtyt,

në sht’pi të caktuar për çdo të gjallë.

24 Megjithatë dorën s’shtrin për ta rrënuar;

në rrënim të tij do të jetë shpëtimi.

25 Vallë a s’qaja kurdoherë mbi të mjerin,

a s’i dhimbej shpirtit tim i varfri?

26 Prisja të mirën, më erdhën të këqijat,

prisja dritën e më erdhi terri.

27 Më vlon barku e kurrë s’më pushon,

po më sulmojnë ditët e mjerimit.

28 Ecja i mërrolur ‑ kush s’më ngushëllon,

ngritesha në mbledhje e thirrja ndihmë.

29 Me çakaj u bëra vëlla,

shok u bëra me struca të egër.

30 Nxirë është lëkura e trupit tim,

nga ethet eshtrat m’u thanë.

31 Cetra ime u bë vajtore,

gjëmëtar është fyelli im”!

Jobi: 31. Mbrojtja e Jobit

31

1 “Lidhur kisha besë me sytë e mi

se asnjë virgjër s’do të shikoja.

2 Po ç’pjesë kam te Hyji im i lartë,

ç’trashëgim te i Gjithpushtetshmi në qiell?

3 Pse a e keqja s’i takon të paudhit,

s’u takuaka të padrejtëve ndëshkimi?

4 A thua roje ai s’më rri në udhë

e s’ m’i njeh hapat e mi?

5 Pra, nëse veprova ndonjëherë me gënjeshtër,

për të bërë të keqen nëse e luajta këmbën:

6 le të më vërë Hyji në peshore të saktë

që ta dijë se i patëmetë unë jam!

7 Këmba ime nëse udhës iu shmang

e nëse zemra sytë m’i ndoqi,

duart e mia nëse i përdhosa:

8 unë mbjellsha e tjetri korrte,

farë as emër mos më mbettë!

9 Nëse zemrën time në të keq ma çoi ndoj grua,

nëse pas derës pritë mikut i vura:

10 për tjetërkënd bloftë gruaja ime,

tjetërkush atë e përdoroftë!

11 Sepse kjo është punë e poshtër,

paudhësi që gjyq kërkon:

12 më djegtë zjarri e më përvloftë,

shkrumb i bëftë të lashtat e mia!

13 Nëse i kam ngrënë të drejtën shërbëtorit

o shërbëtores që ankohej në mua:

14 çfarë do të bëja kur Hyji në gjyq të ngritet,

ç’do të përgjigjja kur llogari të kërkonte?

15 A s’janë ata si unë vepër e Tij?

S’na formoi një Hyj në krah’ror të nënës?

16 Nëse u mohova ç’kërkonin të varfrit,

në qoftë se të qajnë i bëra sytë e të vejës,

17 në qoftë se vetëm hëngra bukën time

e prej saj s’dhashë të hajë edhe jetimi.

18 Që në rini si babë i kam qenë,

e kam mësuar që në krah’ror të s’ëmës!

19 Nëse e përbuza të gjorin që petk s’kishte,

të vobektin që ishte pa mbulojë,

20 nëse ijët e tij mua s’ma çuan bekimin,

pse prej bashkave të deleve të mia u ngroh,

21 nëse dorë ngrita kundër ndoj bonjaku,

duke e ditur se e kam Mbrojtësin në gjyq:

22 oh m’u shkoqtë prej shpatullës krahu,

dora ime në bërryl u theftë!

23 Sepse të Hyjit e druaj ndëshkimin,

madhërisë së Tij s’mund t’i qëndroj!

24 Nëse shpresën time a kurrë në ar e vura,

nëse arit të pastër: ‘Besim kam në ty’ i thashë,

25 nëse iu gëzoja kamjes sime të madhe,

pasurisë që duart ma fituan,

26 nëse kur diellin t’shkëlqyeshëm shikoja

edhe hënën kur ecën ndriçuese:

27 e ashtu fshehtas më gënjeu zemra ime

që me dorë t’u çoja puthje,

28 që do të ishte punë e dënueshme në gjyq,

se Tenzonë unë do të kisha mohuar;

29 nëse iu gëzova bjerrjes së urryesit tim

dhe u kënaqa për të keqen që i ndodhi,

30 unë që gjuhën s’lejoja të mëkatonte,

duke e nëmur që jeta t’i shuhej!

31 Po a nuk më thoshte gjindja e çadrës sime:

‘Kë me mish ai der tash s’e ka ngopur?’

32 Kurrë shtegtar përjashta s’më mbeti,

për udhëtarin hapur e kisha derën.

33 Pse a si Adami mëkatin tim e fsheha,

në zemrën time fajin fshehtë e mbajta?

34 Pse a i droja shpërhalljet e gjindes,

a u frikësoja përbuzjes së fqiut

e heshtja brenda derës së shtëpisë?

35 Sikur të kisha dikënd që të më dëgjonte!

Ja, nënshkrimi! I Lumi le të më përgjigjë!

Ja libri që e shkroi armiku!

36 Përmbi supa do ta mbartja,

rizë rreth kokës do ta lidhja,

37 përgjegjësi do të jepja për çdo hap,

para Tij ballëlart si princ do të dilja.

38 Kundër meje nëse klithë toka ime,

bashkë me të nëse vaj lëshojnë hullitë,

39 nëse pa pagë frytin ua hëngra

e nëse vet ia mundova bujqit:

40 në vend të grurit ferra më prodhoftë,

në vend të elbit egjër ‑ bar të qelbët”!

Jobi: 32. Ndërhyrja e Eliuhit

32

/31, 40b/ Kur Jobi u dha fund fjalëve të veta, 1 ata tre njerëz pushuan t’i përgjigjeshin, sepse Jobi e mbante veten të drejtë. 2 Por atëherë u hidhërua dhe u zemërua Eliuhi, biri i Barakelit të Buzit, i fisit Ramaj. E u hidhërua në Jobin sepse thoshte për vete se ishte i drejtë para Hyjit. 3 Gjithashtu u zemërua edhe në miqtë e vet, sepse nuk ditën të gjejnë përgjigje, por vetëm e dënuan Jobin. 4 Këndej edhe Eliuhi priti deri sa foli Jobi, sepse ata që flisnin ishin më të moçëm. 5 Por, si pa Eliuhi se ata tre nuk mundën t’i përgjigjeshin, u hidhërua shumë.

6 Atëherë e mori fjalën Eliuhi, biri i Barakelit Buzit, dhe tha:

“Për kah mosha i ri unë jam,

kurse ju e arritët pleqërinë,

prandaj edhe frikë kisha dhe droja

t’jua tregoj mendimin tim.

7 Mendoja: ‘Le të flasë mosha

dhe të thinjurit dijen ta mësojnë!’

8 Por sa po shoh është shpirti në njerëzit,

është frymëzimi që vjen prej të Lumit,

që njerëzve u jep kuptim.

9 Mosha e gjatë s’e jep urtësinë

e shpesh pleqtë s’e dallojnë të drejtën.

10 Këndej dhe unë ju ftoj të më dëgjoni,

dua edhe vetë t’jua dëftoj dijen.

11 Me vëmendje jua dëgjova fjalët,

urtisë suaj veshin ia vura

të zgjidhni çështjen kur sprovuat.

12 U mundoja vesh t’ju marr.

Por mjerisht, sa unë po shoh,

ju asnjëri s’qetë të zotët

ta bindnit Jobin...

t’u përgjigjeshit fjalëve të tija!

13 Ruaj se thoni: ‘Gjetëm dijen,

ta dënojë Hyji e jo njeriu!’

14 Prandaj fjalë s’do të them si këto,

as si ju s’do t’i përgjigjem.

15 Mbetën të mundur, nuk përgjigjën,

nga biseda hoqën dorë.

16 Prita, por ata më s’folën,

pasi mbetën shtang pa përgjegje,

17 më takon mua tani të përgjigj,

ta dëftoj dijen që kam.

18 E kam mjaft veç fjalë për të thënë,

se më shtyt shpirti brend në krah’ror.

19 Jam fryrë si mushti i mbyllur

që i pëlcet rrëshekët e rinj!

20 Do të flas që pakëz të shfrej,

buzët do të hap e do të ligj’roj.

21 S’do të shikoj se kush çka është,

askërkënd unë s’do të përkëdhel,

22 unë nuk di kurrsi të lurtoj:

Basi im me shpejt do të më shuante”.

Jobi: 33. Guximi i tepruar i Jobit

33

1 “Dëgjo, Job, çfarë dua të të them,

vëru veshin fjalëve të mia!

2 Ja, e çela gojën time,

le të më flasë gjuha në grykën time!

3 Biseda ime rrjedh nga zemra e drejtë,

gjyq të pastër do të thonë buzët e mia.

4 Shpirti i Hyjit më ka krijuar,

Fryma e të Lumit jetë më dha.

5 Nëse mundesh, deh, më përgjigj,

bëhu gati e ktheu nga unë!

6 Ja, si ti jam para Hyjit,

nxjerrë nga e njëjta baltë si ti,

7 prandaj frikë s’dua të kesh prej meje,

as të të rëndoj në mend s’e kam.

8 Pra, ti the ‑ me veshë të dëgjova ‑

mirë i ndieva fjalët që fole:

9 ‘Jam i pastër, faj nuk kam,

i patëmetë e pa farë mëkati.

10 Halë në përpeq i jam unë atij,

prandaj më mban për armik të vetin.

11 Këmbët e mia në pranga i futi

dhe e përcjell çdo hap timin.’

12 Këtu është faji, unë të them

se njeriu me Hyj’n s’mund të matet!

13 Si, me Të ti do të pleqërohesh,

pse në fjalë të tua gjegje s’jep?

14 Sepse Hyji flet një herë,

të njëjtën gjë nuk e përsërit.

15 Në ëndërr, në vëgime nate

mbi vdekatarë kur gjumi bie,

kur mbi shtroja ëmbël flejnë,

16 ua hap veshët vdekatarëve

dhe i tremb në vëgime nate

17 për ta shmangur vdekatarin

prej punësh të liga,

prej krenarisë për ta çliruar.

18 E shpirtin ia ruan nga gropa,

jetën prej udhës në Nëntokë.

19 E qorton në shtrat me dhimbje,

me dridhje eshtrash të papushim,

20 që der buka në jetë i ndyhet,

më e shijshmja haje shpirtit të tij,

21 kur ndër sy i shkrihet mishi,

kur kockat nën lëkurë i shihen,

22 kur i afrohet gropës së shkatërrimit,

jeta e tij shtëpisë së vdekatarëve.

23 Nëse afër i ndodh një Engjëll,

një Shtjellues ndër një mijë,

ta kujtojë ç’ka për detyrë,

24 për të, mëshirë të ketë dhe të lutet:

‘Shpëtoje, Zot, të mos zbresë në gropë,

e gjeta për të shpërblimin’,

25 trupi atij do t’i përtërihet

më i freskët se në rini,

do të kthehet në ditët e djalërisë!

26 Hyut i lutet e Ai e fal,

me kënaqësi në f’tyrë sytë ia prir,

e ia kthen njeriut drejtësinë.

27 Plot hare k’ndon para njerëzve:

‘Mëkatova, të drejtën e shkela,

por Hyji s’më ndëshkoi për mëkate.

28 Ma shpëtoi shpirtin prej pështjerrës,

qe, i gjallë, dritës i gëzohem!’

29 Ja, kështu Hyji vepron

me njeriun dy, tri herë,

30 prej gropës shpirtin për t’ia ruajtur,

për t’ia ndritur me dritë të të gjallëve.

31 Kujdes, Job, mirë më dëgjo:

hesht se kam ende për të folur.

32 Por nëse ke gjë ti për të më thënë,

më përgjigj, krejt lirisht fol,

sepse më pëlqen të dalësh i drejtë.

33 Por nëse s’ke mua më dëgjo,

hesht dhe unë do të të mësoj urtinë”.

Jobi: 34. Paaftësia e tre dijetarëve për ta shfajësuar Hyjin

34

1 Eliuhi e rimori fjalën. Ai tha:

2 “Dëgjojini, o të dijshëm, fjalët e mia,

o ju të ditur, mua më vështroni!

3 Pasi veshi i dallon fjalët

me shijim qiellza ushqimet:

4 prandaj të shqyrtojmë çka është e drejtë,

të çmojmë së bashku ç’është më mirë.

5 Pasi Jobi tha: ‘I drejtë jam,

porse Hyji të drejtën ma mori.

6 Jam i drejtë e rrenacak më mbajnë,

i shigjetuar pa farë faji’,

7 ka ndokund burrë porsi Jobi,

që e pi talljen porsi ujin?

8 Që rrugon bashkë me keqbërësit,

që ecën me të patenzonë?

9 Sepse tha: ‘Njeriut s’i vlen

me Hyjin miqësisht të sillet’.

10 Pra, më dëgjoni burra të mençur:

larg prej Hyjit paudhësia

e prej të Lumit padrejtësia!

11 Sipas veprave njeriun shpërblen,

sipas sjelljes shpaguan gjithkënd.

12 Vërtet Hyji kurrë keq s’bën,

kurrë i Lumi s’e shkel të drejtën!

13 Kush atëherë ia beson botën?

Mbarë rruzullin kush e sheston?

14 Po të rikthente frymën në vete,

po të tërhiqte shpirt e frymë,

15 coftë do të binin të gjithë gjallorët,

njeriu në pluhur do të kthehej.

16 Nëse merr vesh, dëgjo këtë,

dëgjo zërin e bisedës sime.

17 Mund të sundojë kush e urren të drejtën?

Guxon të dënosh të Drejtin e të drejtëve,

18 që mbretit i thotë: ‘Mbrapshtan!’

edhe prijësve: ‘Të patenzonë’!,

19 që princave pajë s’u mban,

s’bën dallim: skamnor e i pasur,

pse janë vepër e duarve të tija?!

20 Çëk‑fëk zhduken në thellësi të natës;

grinden popujt e shkatërrohen,

zhduk dhunuesin pa vështirësi.

21 Ai njeriut ia sheh udhët,

në shuplakë të dorës hapat ia ka!

22 Nuk ka terr as hije vdekjeje

që ta fshehë atë që bën keq.

23 Askujt Hyji më parë s’i tregon,

kur i duhet para Tij në gjyq të dalë.

24 I zhduk të mëdhenjtë pa hetuesi,

në vend të tyre tjerë vë në pushtet,

25 sepse veprat fort mirë ua njeh,

dhe një natë i përplas e i shqelmon.

26 Si keqbërësit ata i godet

mu aty ku mbarë bota i sheh!

27 Qëllimisht pse prej Tij u larguan,

t’i kuptojnë nuk deshën udhët e tija.

28 Tek Ai mbërriti britma e skamnorit,

ua dëgjoi të vobektëve klithmën.

29 Nëse hesht kush mund ta dënojë?

Nëse e fsheh f’tyrën kush e sheh?

Por kujdeset për popuj e njerëz,

30 të mos mbretërojë i patenzoni

që të mos bëhet lak për popull.

31 Nëse ndokush Hyjit i thotë:

‘Ç’ m’u desh pësova! Më s’do të mëkatoj.

32 Çka s’kuptoj ti tani ma mëso,

keq në punova, s’do të vazhdoj.’

33 Si pas teje a s’do ta falë

pse ti gjyqin s’ia përfill?

Ty të takon të zgjidhësh e jo mua:

zbraze, pra, dijen që ke.

34 Njerëz’t e urtë mua do të më thonë,

çdo i ditur që do të më dëgjojë:

35 Jo, si i urtë nuk foli Jobi,

fjalëve të tija u mungon dija!

36 Prandaj Jobi der në fund le të sprovohet

pse përgjigj si keqbërës të ishte,

37 mëkatit të vet pse ia shton kryengritjen,

ndërmjet nesh me shuplakë rreh,

kundër Hyjit i shton blasfemitë”.

Jobi: 35. Hyji nuk është i paanshëm në fatet e njerëzve

35

1 Eliuhi vazhdoi bisedën e tha:

2 “I drejtë të duket, vallë, mendimi yt

kur pohon: ‘Para Hyjit kam arsye’.

3 Sepse the: ‘Çka të bëra ty?

Çka të kam bërë nëse kam mëkatuar?’

4 I hedh poshtë bisedat tua

e me ty dhe miqtë e tu.

5 Vështro qiellin e mirë shikoje,

shikoji retë sa lart mbi ty!

6 Nëse mëkaton çka thua i bëre?

Nëse i shumëzon fajet e tua,

çfarë mund të bësh, thua, kundër tij?

7 Po edhe drejtë në qoftë se vepron

çfarë të thotë mendja atij i dhuron?

Ç’dhunti merr prej dorës sate?

8 Paudhësia jote një si ti e dëmton,

mirësia jote një si ti e ndihmon!

9 Lëshohet britmë prej peshës së shtypësve,

kushtrim qitet prej dhunës së tiranit.

10 Por kush s’tha: ‘Ku është Hyji, Krijuesi im,

që e mbush natën me këngë gëzimi,

11 që na bën më të urtë se kafshët,

më të ditur se shpendët e ajrit?’

12 Atëherë klithët, por Ai s’përgjigjet.

Prej krenarisë së të panjerëzishmëve.

13 Se ç’kotësi nëse vjen e thuhet:

‘Hyji s’dëgjon, Zotynë s’kujdeset’.

14 Aq më tepër kur thua: ‘S’sheh.

Para tij është çështja e presë’.

15 Gjithashtu edhe kur thua:

‘Hidhërimi i tij nuk sjell ndëshkime,

kurrë s’hakmerret për paudhësi’.

16 Kot së koti me buzë luan Jobi,

nga padija i shumëzon fjalët”!

Jobi: 36. Kuptimi i vërtetë i vuajtjeve të Jobit

36

1 Eliuhi vazhdoi e tha kështu:

2 “Duresë sa grima e do të tregoj,

sepse kam më ç’të them për Hyjin.

3 Prej së largu do ta nxjerr dijen,

Bërësit tim do t’ i jap arsye.

4 Vërtet s’janë gënjeshtra fjalët e mia:

është me ty një që ka dije të përsorur.

5 Hyji është i madh: askënd s’përbuz;

i madhërishëm për kah fuqia e mendjes,

6 keqbërësin s’e lë të jetojë

e skamnorëve u jep të drejtë.

7 Prej të drejtëve sytë s’i largon,

përbri mbretërish i vë në fron

që të lartësuar të jenë gjithmonë.

8 E nëse të lidhur i sheh në pranga,

rëndë shtrënguar në lak mjerimi,

9 atëherë veprat në dritë ua qet,

dhunët e bëra prej krenarisë.

10 U hap veshët të dëgjojnë qortimin,

u urdhëron të kthehen prej të keqes.

11 N’e dëgjoshin e n’iu nënshtroshin,

me fat të mirë ditët u kalojnë,

vitet e tyre me kënaqësi.

12 Po s’dëgjuan, kalojnë n’për vdekje,

prej marrëzirës do të sharrojnë.

13 Të Hyjit hidhërimin vetvetes ia sjellin

zemërkëqijtë e kushtrim nuk do të qesin,

kur ndër pranga i Lumi t’i lidhë.

14 E vdesin në lule të rinisë,

në moshë të djalërisë u shuhet jeta.

15 Varfanjakun e shpëton me të liga,

ia hap sytë me fatkeqësi.

16 Edhe ty do të shpëtojë nga ngushtica,

do të qesë në hapësirë ku gjë s’të shtrëngon,

në tryezë plot me gjella të majme.

17 Çështja jote bie si e keqbërësit:

gjyqi e dënimi do të takojnë.

18 Mbushullia ruaj se të gënjen,

shumë dhurata mos ta shmangin rrugën!

19 Pse, a bërtet kur s’je në vështirësi?

E madje me sa forcë ke?!

20 Mos e prit me afsh atë natë,

në të cilën popujt shkojnë në vend të vet!

21 Ruaj se i sillesh padrejtësisë,

sepse ajo të qiti në mjerim”!

Himni për nder të dijes së gjithëpushtetshme

22 “Sa i madhërishëm në pushtet të vet është Hyji!

Vallë ka kund mësues të ngjashëm me Të?

23 Kush është në gjendje jetën t’ia shqyrtojë?

Kush guxon t’i thotë: ‘Veprove keq?’

24 Të bie në mend t’ia madhërosh veprën

që të tjerët në këngë ia këndojnë!

25 E vëren mbarë bota,

çdo njeri prej së largu e kundron!

26 Sa i madh është Hyji! Mendja nuk na e merr,

të panumrueshme janë vitet e tija!

27 Lart i mbledh pikat e shiut,

i zbraz shirat si lumenj,

28 retë i zbrazën me mbushulli,

rrëke bien mbi mbarë njerëzimin.

29 Kush pastaj mund ta kuptojë

të reve shtrirjen,

bubullimën e tendës së tij?

30 Ja, Ai dritën e hap përreth vetes,

detit fundin me ujë ia mbulon!

31 Me anë të tyre Ai gjallë i mban popujt,

u jep ushqim me garguri.

32 Në duar të veta e mban rrufenë

dhe i urdhëron ku do të godasë!

33 Bubullima flet për Të,

armë zemërimi kundër të keqes!

Jobi: 37. Vetëtima mbarë qiellin çan

37

1 Po prej kësaj zemra më dridhet,

jashta parzmës do të më dalë!

2 Pa dëgjoni si i buçet zëri,

buçimën që i del nga goja!

3 Vetëtima mbarë qiellin çan,

skajet tokës ia vezullon!

4 Bubullima ulërin pas saj,

gjëmon zëri i madhërisë së tij,

gjë s’i ndal atëherë rrufetë!

5 Po, gjëmon Hyji me zë të mrekullueshëm,

përfton vepra të mëdha, të pashqyrtueshme.

6 I urdhëron borës të zbresë mbi tokë,

shtrëngatës të bjerë me rrëmbim.

7 I kyç njerëzit brenda në shtëpi

të njohë secili kështu veprën e tij.

8 Egërsirat në strofuj struken,

kyçen në shpella, me ankth presin.

9 E rreptë ngritet nga jugu stuhia,

era sjell nga veriu cegmin,

10 Hyji fryn, akulli ngrin,

sipërfaqja e uj’t ngurrohet.

11 Rufeja nga reja hidhet,

retë atëherë vetëtima lëshojnë

12 që ndriçojnë gjithkund përreth,

gjithkah do Sunduesi i epërm,

tek u urdhëron mbi faqe të dheut,

13 ndonjë vend për ta shkretuar

ose mëshirë për t’i dëftuar.

14 Dëgjo këtu, Job, e qetësohu,

mrekullitë e Hyjit vëreji!

15 A mos di kur u urdhëron Hyji

e si retë rrufenë e lëshojnë?

16 Udhët e mëdha të reve ua di?

Punët e mëdha të Dijshmit të përkryer?

17 Petkat e tua sa janë të nxehta

kur tokën s’e rreh shiroku?

18 Ndoshta qiellin me Të e shtrive

të fortë e të l’muar si pasqyrë metali?!

19 Na trego ç’ t’i themi Atij,

pasi ne, të errësuar, s’dimë!

20 Fjalët e mia ç’rëndësi kanë për të?

Nëse flet Ai, njeriu do të përpihet!

21 Por tani dritën s’e shohim,

kupa e qiellit me re u zu:

do të fryejë era e i shpërndan,

22 nga veriu shkëlqen drita e artë.

Përreth Hyjit një madhëri e tmerrshme.

23 Të Lumit s’mundemi t’i afrohemi,

i pakufishëm në pushtet e në drejtësi:

i drejtë në gjyq, askënd nuk nëpërkëmb.

24 Prandaj njerëzit le ta druajnë!

Ai nuk ndien për dije të krenarëve.”

Jobi: 38. Pushteti krijues e shtangon Jobin

38

1 Nga stuhia Zoti iu përgjigj Jobit e i tha:

2 “Kush është ai që e errëson Provaninë

me ca fjalë që kripë nuk kanë?

3 Ngjeshu, pra, siç ngjeshen trimat:

unë dua të pyes e ti më mëso!

4 Kur themelet tokës ia vura ti ku ishe?

Më trego nëse njëmend e di.

5 A e di: kush përmasat ia caktoi?

Me litar kush e ka matur?

6 Përmbi çka i pushojnë themelet?

Të këndit gurin kush ia vuri

7 ndërsa k’ndonin yjet e mëngjesit,

brohorisnin të gjithë bijtë e Hyjit?

8 Kush e mbylli brenda dyerve detin,

kur po dilte nga krah’rori i nënës?

9 Kur e vesha me re si me petka,

me errësirë si më shpërgenj e mbështolla?

10 Kur unë caqet atij ia vura,

e kyça me dyer e shula

11 dhe i thashë: ‘Deri këtu! Më tej mos shko!

Këtu le të thehen valët tua krenare!’

12 Gjatë jetës sate mëngjesit i urdhërove?

Po agimit vendin ia caktove?

13 Kur ia kape skajet tokës

a u shkundën prej saj mëkatarët?

14 A do të shndërrohet në deltinë për vula,

do të ngjyroset porsi petku?

15 Mëkatarëve drita u merret,

u thërmohet grushti i ngritur.

16 A mos mbërrite në burimet e detit,

a mos ece fundit të pështjerrave?

17 A t’u hapën dyert e vdekjes

dhe i pe hymjet e errëta?

18 A i vrojtove përmasat e tokës?

Fol, pra, ti, nëse i di këto të gjitha!

19 Në cilin kënd drita banon?

Vendbanimin ku e kanë errësirat?

20 Për t’u prirë në caqet e tyre

o për t’i kthyer në banesë të tyre?

21 Po si! Ti atëherë ishe i lindur,

vjetët e tua janë tepër të shumta!

22 A ke hyrë në qilarët e borës?

A i ke parë depot e breshërit,

23 që i përgatita për ditë të ngushtë,

ditë përleshje, lufte të tmerrshme?

24 Cilës udhë shpërndahet drita,

nëpër cilën shiroku djeg tokën?

25 Kush shiut të rëndë udhën ia dha

edhe rrugën rrufesë vetuese,

26 që të bjerë shi në vend të pabanuar,

në shkretëtirë ku askush s’banon,

27 për t’i ngirë të papërshkueshmet djerre,

që të qesë bar toka e thatë?

28 A ka vallë shiu baba?

Kush i lind pikat e vesës?

29 Gjirit të kujt do të ketë dalë àkulli?

Kush prej qiellit e lindi brymën?

30 Kur si gur ujërat forcohen,

sipërfaqja e humnerës kur ngurret?

31 Mundesh në vargje t’i lidhësh Shejzat,

o nenin t’ia zgjidhish Orionit?

32 E bën të dalë Yllin e Dritës?

Ti i prin Ariut me zogj?

33 A ia di ti qiellit ligjet

dhe mbi tokë ti i vë në zbatim?

34 A u bërtet ti reve në qiell

e të mbulon shtrëngata e shiut?

35 A ti i lëshon vetëtimat që çajnë

dhe të thonë: ‘Si urdhëron!’?

36 Kush ibisit i dha dije

edhe gjelit të ketë kuptim?

37 Kush i mençur i numron retë,

kush i zbraz rrëshiqat e qiellit,

38 kështu pluh’ri bëhet një tërësi

edhe bucat një me tjetër të ngjiten?

39 Luaneshës ti, thua, prenë ia zë

dhe i ushqen zogjtë e luanit,

40 kur ata qëndrojnë në shpellë

ose vërejnë mbi pre nga strof’lli?

41 Kush korbave ua mbledh ushqimin,

kur drejt Hyjit zogjtë cicërojnë

për arsye se u mungon shujta?

Jobi: 39. Gomarit të egër lirinë kush ia dha?

39

1 A e di ti si në qeta pjellin dhitë e egra,

a i ke vrojtur shytat se si shtohen?

2 A u numrove muajt e barrës

e ua di kohën e pjelljes?

3 Ulen, shtrihen, nga fryti lirohen

edhe dhimbjet fund u marrin

4 e kur pjella u forcohet,

e lënë në mal, te ta më s’kthehen.

5 Gomarit të egër lirinë kush ia dha?

Kush ia hoqi kresë ullarin?

6 Për banesë i dhashë shkretëtirën,

vendbanim dheun e kripur.

7 E përbuz zhurm’n e qytetit,

s’u vë vesh britmave të ndjekësve.

8 Endet maleve në kullota të veta,

kërkon të gjejë çdo lloj blerimi.

9 A dëgjon të shërbejë bizoni?

Në vathën tënde e kalon natën?

10 E heq për laku që të lërojë me kaun,

vjen pas teje për të lëruar tokat?

11 A pse fort besim ti ke në të

e ia besuake punët e tua?

12 A beson se ai do të kthehet

për t’i sjellë në lëmë prodhimet?

13 Fleta e strucit gëzueshëm rreh,

fletët e puplat t’lejlekut flut’rojnë!

14 Vezët e veta në tokë i lëshon,

t’ia ngrohë pluhurit ia beson,

15 s’ka kujdes me këmbë të mos shkelen,

egërsira se mundet t’i thyejë.

16 Me zogj të vet si me zogj të huaj sillet,

s’e di se kot së koti lodhet.

17 Hyji atë e la të pamend,

s’i dhuroi kuptim as dije.

18 Kur është koha krahët i rreh,

përqesh kalë edhe kalorës!

19 A thua kalit ti ia dhe fuqinë,

jelet në qafë ti ia dhurove?

20 A e bën ti të kërcejë si karkaleci,

me hingëllimë gjithkënd të tmerrojë?

21 Kënaqshëm dheun gropon me thundër,

pa farë frike sulet në trima.

22 Përbuz frikën, gjë s’e tremb,

syri çap prej shpatës s’i bën.

23 Kukurra në vithe i troket,

fishkëllon heshta e sh’gjeta vrastare!

24 Me tërbim përpin hapësirën,

gjë s’e ndal kur bie trumbeta!

25 Në zë të burisë ai felgron: ‘Ha!’,

shumë larg luftës ia nuhat erën,

të prijësve thirrjen, të ushtarëve urranë!

26 Dija jote i rrit puplat skifterit,

e bën që fletët t’i kthejë nga jugu?

27 Ti urdhëron në qiell të prekë shqiponja,

në kreshta të larta çerdhen të endë?

28 Në shkëmbinj ngul, në qeta banon,

në moje të larta e përmbi kreshta.

29 Prej andej vëren prenë e vet,

sytë prej së largu hollë ia ndajnë!

30 Zogjtë e saj me gjak ushqehen.

Ku ka të vrarë, aty e ke”!

Jobi: 40. Hyji e nënshtron fuqinë e të keqes

40

1 Zoti Jobin e theki e tha:

2 “Prozhmuesi s’do të ndeshet me të Lumin?

Kritikuesi Hyjit t’i përgjigjë”!

3 Jobi Zotit iu përgjigj:

4 “Heu! Pa mend fola! Si të përgjigj?

Me dorë gojën po e kyç!

5 Një herë fola: s’e përsëris dot!

Dy herë fola: s’vazhdoj dot”!

BISEDA E DYTË

Hyji e nënshtron fuqinë e të keqes

6 Atëherë Hyji iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:

7 “Porsi trimi ngjeshi ijët:

dua të të pyes e ti më mëso.

8 Gjyqin tim poshtë do ta hedhësh,

të më dënosh mua ta shfajësosh veten?

9 Krahu yt a është si i Hyjit,

zëri yt gjëmon si i tij?

10 Ngjeshu, pra, me stoli e madhëri,

veshu, pra, me shkëlqim e me nder!

11 Zbraz stuhinë e zemërimit tënd,

me shikim përul krenarët!

12 Vëre krenarin, për tokë përplase,

zhduki keqbërësin kudo të ndodhë!

13 Të gjithë së bashku në dhe mbuloji,

të gjithë kyçi në gropë të errët!

14 Atëherë unë do të bëj dëshmi

se të shpëton e djathta jote.”

Behemoti

15 “Shih Behemotin: e krijova porsi ty;

ai ha bar si të ishte ka!

16 Në ijë forca i qëndron

e fuqia në muskuj të barkut.

17 E ngreh bishtin thua është cedër,

kofshët krejtësisht ia mbërthejnë dejtë.

18 I ka eshtrat fishkull bronzi,

brinjtë e tij si pllaka hekuri!

19 Është vepra e parë e Hyjit,

Krijuesi me shpatë e pajisi.

20 Atij malet ia paguajnë të dhjetat,

egërsirat që n’për to gjesdisin.

21 Nën lotus shtrihet të pushojë,

kallmi i kënetës e balta e fshehin.

22 Hije i bëjnë gjethët e lotusit,

e rrethojnë shelgjet e kënetës.

23 Fryhet lumi, ai s’çan kokën,

në fyt t’i hynte një lumë i tërë,

s’e shqetëson, ai vesh nuk vret!

24 Kush atë për syri e kap,

e lidh në kunj e i shpon hundën”?

Leviatani

25 “Leviatanin a e zë me grep?

Vallë me toje ia lidh gjuhën?

26 A n’për hundë ia kalon zunkthin?

Ia shpon nofullën me kërrabë?

27 Të kesh dhimbje a do të të përbejë?

Butë e ëmbël do të flasë me ty?

28 A thua me ty marrëveshje do të bëjë

do ta bësh shërbëtor të përhershëm?

29 Si me shpend do të luash me të,

do ta lidhësh që vajzat të luajnë?

30 Bashkëgjahtarët në treg do ta qesin,

do ta ndajnë tregtarët ndër vete?

31 Me shigjetë do t’ia shposh shpinën,

do t’ia therësh kokën me fuzhnjë?

32 Vër njëherë dorën mbi të:

luftës gëzoju ‑ më s’do të ndeshesh!

Jobi: 41. Kush ia hap kapakët e gojës?

41

1 Kot në të shpresë të keshë,

me shikim njeriun e vret!

2 Askush s’ka guxim ta zgjojë,

askush s’mundet t’i bëjë ballë!

3 Kush iu sul e gjallë shpëtoi?

Njeri të tillë nën qiell nuk ka!

4 S’do të hesht gjymtyrët e tija,

forcë, fuqi të trupit të tij.

5 Kush guxon petkut ta zhveshë,

kush ia shpon të dyfishtë parzmorin?

Kush të kalojë për nof’lla të tij?

6 Kush ia hap kapakët e gojës?

Rreth dhëmbësh tmerri i rri kërcënuar!

7 Pllaka shqyti trupi i tij,

i kyçur me vulë shkëmbore:

8 njëra në tjetrën aq mirë puthur

sa që as frymë n’për to s’kalon!

9 Njëra më tjetrën aq mirë përpiqet

sa që gjë më s’mund t’i ndajë!

10 Flakë e shkëndijë teshtima e tij,

sytë e tij qepalla agimi.

11 Nga goja zjarr buçet flakë,

shkëndijë zjarri xixëllojnë,

12 për vrimë të hundëve tym i del

si kazani kur vlon në zjarr.

13 Fryma e tij qymyrin ndez,

pse nga gryka flakë buçet.

14 Në qafë atij forca i qëndron,

para tij vrap turret tmerri.

15 Laprat të trasha, mirë bashkuar,

thua të derdhura, s’luajnë aspak!

16 Shkëmb i gjallë, zemrën të fortë,

të patrandshme si gur mulliri!

17 Kur ai ngritet, dridhen të fortit,

valët e forta prapa i kthen.

18 Nëse i bie, shpata s’i ngulet,

heshtë, shigjetë as mëzdrak nuk ndien.

19 Për të hekuri është si kashtë,

dru i kalbur për të është bronzi.

20 S’e vë në të ikur shigjetari,

për të byk janë gurët e bahes!

21 Një kashtërrojë për të është shkopi,

i zgërdhihet heshtës vringëlluese!

22 Për nën bark ka tjeg’lla të mprehta,

rrafshon baltën si me trinë.

23 Të vlojë si vegsh e bën humnerën,

e bën detin enë për balsam.

24 Hulli të ndritshme lë përmbas

të ndan humnera si e thinjur.

25 Diçka të ngjashme mbi tokë nuk ka:

qe krijuar të mos druajë askënd!

26 Nga lart kafshët më të mëdha i shikon:

mbret është ai mbi bishët krenare!”

Jobi: 42. Fjala e fundit e Jobit

42

1 Jobi mori fjalën dhe iu përgjigj Zotit:

2 “Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm,

çka sheston, në gjendje je ta bësh!

3 Kush është ai që me fjalë të marra

provaninë hyjnore e errëson?

Prandaj fola si i pamend

për mrekullitë që s’i kuptoj.

4 Por më dëgjo, më jep leje të flas:

unë do të pyes e ti më përgjigj.

5 Nuk të njihja veçse me të dëgjuar,

e tani me sy të mi të pashë!

6 Prandaj veten e qortoj,

bëj pendesë në hi dhe në pluhur”.

V. PËRFUNDIMI

Zoti i prozhmon tre dijetarët

7 Pra, pasi Zoti ia tha këto fjalë Jobit, i tha Elifaz Temanitit: “Hidhërimi më ka marrë zjarr kundër teje e kundër dy miqve të tu, sepse para meje nuk e keni folur të drejtën si shërbëtori im Jobi. 8 Prandaj, merrni për vete shtatë dema e shtatë desh dhe shkoni te sherbëtori im Jobi, kushtoni fli shkrumbimi për vete, kurse Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju, kështu që unë, për dashuri të tij, nuk do t’ju ndëshkoj për marrëzirën tuaj, sepse nuk keni thënë për mua fjalë të drejta si shërbëtori im, Jobi”.

9 Shkuan, pra, Elifaz Temaniti, Baldad Suhiti e Sofar Naamatiti dhe bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti. Zoti pati nderim ndaj Jobit.

Zoti ia kthen të mirat Jobit

10 Pasi Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme, madje ia dha dyfishin e gjithçkasë që kishte pasur. 11 Atëherë u kthyen te Jobi të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e tija dhe të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën me të bukë në shtëpinë e tij, e ia çanë hallin dhe e ngushëlluan për të gjitha të këqijat që ia kishte pase çuar Zoti. Secili i dhuroi nga një pare argjendi e nga një unazë ari.

12 Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme. Kishte katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë gamile, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica. 13 Pati edhe shtatë djem e tri vajza. 14 Të parën e quajti Pëllumbeshë, të dytën Lulekallame e të tretën Luleqepalle.

15 Në mbarë vendin nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit. Baba i tyre u dha trashëgim si vëllezërve të tyre.

16 Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë dhe bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë.