Romakëve: 1. Përshëndetja

1

1 Pali,

shërbëtori i Jezu Krishtit,

i thirrur për të qenë apostull,

veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑

2 të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet

në Shkrimet e Shenjta

3 mbi Birin e vet,

i cili është, për kah trupi,

pasardhës i Davidit,

4 por i dëftuar për Birin e Hyjit

me të gjitha pushtetet

me anë të Shpirtit Shenjt

pas ngjalljes prej të vdekurve,

mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë,

5 nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi

apostuj,

që, në nder të Emrit të tij,

t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët,

6 ndër të cilët jeni edhe ju

të grishur prej Jezu Krishtit:

7 të gjithëve në Romë,

të dashurve të Hyjit,

të grishurve, shenjtërve:

Hir e paqe

prej Hyjit, Atit tonë,

dhe prej Jezu Krishtit Zot.

Dëshira e Palit të vizitojë Romën

8 Më së pari e falënderoj Hyjin tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju pse po përhapet në botën mbarë një zë i mirë për fenë tuaj. 9 Vërtet, dëshmitar e kam Hyjin ‑ të cilit i shërbej me gjithë shpirt duke shpallur Ungjillin e Birit të tij, se vazhdimisht ju kujtoj 10 gjithmonë duke kërkuar në lutje pandërprerë ta kem dikur fatin, sipas vullnetit të tij, të vij një ditë ndër ju.

11 Për të vërtetë kam dëshirë të madhe t’ju shoh për t’ju dhënë ndonjë dhuratë shpirtërore që të forcoheni ‑ ose më mirë ‑ 12 që së bashku me ju dhe mes jush, edhe unë të nxehem në fenë që e kemi të përbashkët, tuajën e timen. 13 Vëllezër, dëshiroj ta dini se shumë herë kam dashur të vij ndër ju ‑ por deri tani qesh i penguar ‑ që të mbledh ndonjë fryt edhe ndër ju sikurse në popujt e tjerë paganë. 14 E ndiej veten të detyruar kundrejt grekëve e barbarëve, kundrejt të përparuarve e kundrejt të prapambeturve. 15 Këndej, pra, dëshira ime t’jua shpall Ungjillin edhe juve në Romë.

Fuqia e Ungjillit

16 Për të vërtetë, mua nuk më vjen turp prej Ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e pastaj për grekun. 17 E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘I drejti do të jetojë prej fesë.’

Fajësia e gjinisë njerëzore

18 Hidhërimi i Hyjit, vërtet, zbulohet nga qielli kundër çdo mbrapshtie e padrejtësie të njerëzve, të cilët me padrejtësi s’e lënë të veprojë e vërteta. 19 E pra, çka mund të dihet për Hyjin, njerëzit e kanë të qartë: vetë Hyji ua ka zbuluar. 20 E në të vërtetë, përkrymeritë e tij të papashme: pushteti i tij i amshuar dhe hyjnia, atje që prej krijimit të botës, mund të shihen me anë të mendjes në saje të veprave të tij: prandaj nuk kanë se si të arsyetohen. 21 Sepse, edhe pse e njohën Hyjin, nuk ia dhanë nderimin e duhur as falënderimin ashtu si i përket Hyjit, por përkundrazi humbën në arsyetimet e veta të zbrazëta e kështu u errësua zemra e tyre e pakuptim. 22 Duke dashur ta tregojnë veten për të mendshëm, u bënë të marrë 23 dhe e ndërruan lavdinë e Hyjit të pashkatërrueshëm me idhuj ‑ piktura që paraqesin njeriun e shkatërrueshëm, shpendët, shtazët katërkëmbshe e zvarranikët.

24 Prandaj edhe Hyji lejoi të bien, sipas prirjeve të zemrës së tyre, në fëlligështi e kështu ata vetë e çnderojnë trupin e vet. 25 Ata e ndërruan Hyjin e vërtetë me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit, i cili është i bekuar në amshim. Amen.

26 Për këtë arsye Hyji lejoi të poshtërohen me vese çnderuese: femrat e tyre shndërruan marrëdhëniet natyrore me ato kundër natyrës; 27 po kështu edhe meshkujt ‑ duke lënë marrëdhëniet natyrore me femrën, u dogjën në prirje të ndyta njëri kundrejt tjerit: kështu ‑ meshkujt me meshkuj, bëjnë fëlligështi e në trup të vet marrin pagën e kobshme të merituar të gabimit të vet.

28 Pasi e çmuan se për ta nuk vlen të jetojnë si mëson Hyji, vetë Hyji lejoi që ta ndjekin mendjen e tyre të prishur, e kështu të bëjnë çka nuk u ka hije, 29 plot me çdo lloj padrejtësie, zemërkeqësie, lakmimi, shpirtligësie; plot smirë, vrasje, grindje, tradhti; plot qëllime të këqija; spiunë, 30 shpifës, urrejtës të Hyjit, faqezezë, krenarë, madhështorë, hartues të këqijash, të padëgjueshëm ndaj prindërve, 31 të çmendur, të pabesë, të padhimbshëm, të pamëshirshëm. 32 Edhe pse e dinë urdhëresën e Hyjit ‑ se ata që i bëjnë këto vepra ‑ meritojnë vdekjen, ata, jo vetëm që vazhdojnë t’i bëjnë veprat e tilla, por madje edhe i miratojnë me plot pëlqim ata që i bëjnë këto.

Romakëve: 2. Gjyqi i drejtë i Hyjit

2

1 Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri ‑ kushdo të jesh ‑ që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, pasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra.

2 Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.

3 A të thotë mendja, o njeri, ti që gjykon ata që bëjnë vepra të tilla, se do t’i shpëtosh gjyqit të Hyjit, ndërsa edhe ti bën të njëjtat veprime? 4 Apo ndoshta e bën në asgjë begatinë e mirësisë, të durimit e të bujarisë së Hyjit, duke mos u kujtuar se mirësia e tij të thërret e të nxit për kthim? 5 Me kryeneçësinë tënde dhe me zemër që nuk mendon të kthehet, ti grumbullon kundër vetes hidhërim për Ditën e zemërimit dhe për Ditën e dëftimit të Gjyqit të drejtë të Hyjit, 6 i cili do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: 7 me jetën e pasosur ata që, me qëndresë në vepra të mira, kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë; 8 ndërsa do të ketë zemërim e përbuzje për ata që me kryeneçësi i kundërshtojnë të vërtetës e i binden paudhësisë. 9 Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; 10 ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, do të ketë lumturi, nder e paqe! 11 Sepse Hyji nuk i mban kujt krah.

12 E njëmend, ata që pa Ligj mëkatuan, pa Ligj edhe do të birren; e ata që mëkatuan nën Ligj, do të gjykohen sipas Ligjit, 13 sepse, para Ligjit nuk janë të drejtë ata që e dëgjojnë Ligjin, por ata që e mbajnë Ligjin do të jenë të shfajësuar... 14 Sepse, paganët që nuk e kanë Ligjin, nëse e mbajnë Ligjin, të drejtuar prej natyrës, ata, edhe duke mos pasur Ligj, janë vetë Ligj për vetvete: 15 tregojnë se çka urdhëron Ligji është e shkruar në zemrat e tyre. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, por edhe mendimet e brendshme, të cilat tani i padisin e tani i mbrojnë. 16 Kjo do të dalë në dritë atë Ditë, kur, sipas Ungjillit tim, Hyji do të gjykojë me anë të Jezu Krishtit gjithçka është e fshehtë në njerëz.

Hebrenjtë dhe Ligji

17 Nëse, pra, ti që quhesh jude, që pushon i qetë në Ligjin e që mburresh me Hyjin, 18 ti që ia njeh Vullnetin, ti që, i mësuar me anë të Ligjit, di të dallosh çka është më e mirë, 19 ti që ia ke mbushur mendjen vetes se je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata që janë në errësirë, 20 edukator i të padijshëmve, mësues i të vegjëlve, sepse në Ligj ke rregullën e dijes së vërtetë... 21 E mirë, ti që mëson tjetrin, veten pse nuk e mëson? Ti që predikon të mos vidhet, vetë pse vjedh? 22 Ti që ndalon kurorëthyerjen, vetë pse bën kurorëthyerje? Ti që urren idhujt, pse plaçkit tempujt? 23 Ti që mburresh me Ligjin, pse, duke shkelur Ligjin, fyen Hyjin? 24 Për të vërtetë: ‘Ju jeni ‑ siç është në Shkrimin e shenjtë ‑ shkaku që Emri im të shahet ndër paganë.’

25 Rrethprerja, s’po them se s’është e dobishme në qoftë se e mban Ligjin, por, në qoftë se e shkel Ligjin, rrethprerja jote bëhet parrethprerje. 26 Këndej, në qoftë se i parrethpreri e mban Ligjin, a thua parrethprerja e tij nuk vlerësohet rrethprerje? 27 Kështu, pra, ai që fizikisht është i parrethprerë, por që e zbaton Ligjin, do të të gjykojë ty, që, edhe pse e ke germën e Ligjit dhe je i rrethprerë, u bëre shkelës i Ligjit. 28 Sepse judeu i vërtetë nuk është ai që shitet përjashta si i tillë, si edhe rrethprerja e vërtetë nuk është ajo, shenja e pashme në mish, 29 por judeu i vërtetë është në brendinë, edhe rrethprerja e vërtetë është në zemër, sipas shpirtit e jo sipas germës së Ligjit.

Lavdia e hebreut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por prej Hyjit.

Romakëve: 3. Askush nuk është i drejtë

3

1 Cila është, pra, përparësia e judeut? Ose cila është vlera e rrethprerjes?

2 E madhe në çdo pikëpamje! Më së pari: [sepse] atyre u qenë besuar premtimet e Hyjit.

3 Po çka të thuhet atëherë, në qoftë se disa prej tyre nuk ia mbajtën besën? A thua ndoshta pabesnikëria e tyre do ta hedhë poshtë besnikërinë e Hyjit? 4 Prite Zot! Por duhet të dëftohet se Hyji është besnik e çdo njeri gënjeshtar siç është në Shkrimin e shenjtë:

‘Që të jesh i njohur për besnik ndaj fjalës së dhënë,

e të dalësh fitues kur të jesh gjykuar.’

5 E çka të themi nëse pabesnikëria jonë vë në pah drejtësinë e Hyjit? A thua është i padrejtë Hyji kur shfren hidhërimin? Po flas sipas logjikës së njerëzve.

6 Prite Zot! Sepse, si atëherë Hyji do ta gjykojë botën?

7 E nëse me anë të gënjeshtrës sime del në pah e vërteta e Hyjit për lavdinë e tij, përse atëherë unë do të gjykohem si fajtor? 8 E atëherë përse: ‘të mos bëjmë të keqen që të vijë e mira’, si shpifin për ne disa gjasme ne mësojmë ashtu?

Dënimi i të tillëve është i drejtë!

Askush nuk është i drejtë

9 Çka atëherë? A kemi farë përparësie? Kurrfare! E vërtetuam më parë: të gjithë, hebrenj e grekë, janë nën pushtetin e mëkatit, 10 siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Nuk ka njeri të drejtë, as vetëm një.

11 Nuk ka njeri të urtë,

nuk gjendet asnjë që kërkon Hyjin.

12Të gjithë e lanë rrugën, së bashku u prishën,

askush nuk bën mirë ‑

asnjë nuk gjendet!

13 Fyti i tyre është varr i hapur,

me gjuhët e tyre mbjellin gënjeshtra,

nën buzë kanë vrer shlligash;

14 goja e tyre është plot mallkime e hidhërim,

15 këmbët u vrapojnë për të derdhur gjak,

16 rrënime e mjerime në udhën e tyre,

17 udhën e paqes ata nuk e njohin.

18 Frikën e Hyjit nuk e kanë parasysh.

19 E ne mirë e dimë se gjithçka thotë Ligji, e thotë për ata që janë nën Ligj, që të mbyllet çdo gojë dhe mbarë bota të jetë fajtore para Hyjit. 20 Prandaj, me vepra të Ligjit askush s’do të mund të shfajësohet para tij, sepse me anë të Ligjit vetëm njihet mëkati.

Shfajësimi i plotë me anë të fesë

21 Tani veç, pavarësisht nga Ligji, u dëftua vepra shëlbimtare e Hyjit, e dëshmuar prej Ligjit e prej Profetëve, 22 vepra shëlbimtare e Hyjit me anë të fesë në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë ‑ pa farë dallimi, 23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ 24 e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. 25 Atë Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet, sepse i la pa ndëshkuar mëkatet e mëparshme në kohën e durimit të vet ‑ 26 e në kohën e tashme e dëfton drejtësinë e vet për të qenë i drejtë e për të shfajësuar atë që është në fenë e Jezusit.

27 A ka, pra, arsye për t’u krenuar?

‑ Kurrsesi!

‑ Në saje të cilit Ligj? Në saje të veprave?

‑ Jo, por vetëm në saje të fesë! 28 Sepse ne mendojmë se njeriu shfajësohet me anë të fesë, pa veprat e Ligjit.

29 A thua Hyji është vetëm i hebrenjve? A nuk është gjithashtu edhe i paganëve?

‑ Po, edhe i paganëve! 30 Sepse është vetëm një Hyj: ai do të shfajësojë të rrethprerët për arsye të fesë e të parrethprerët me anë të fesë. 31 A e zhvleftësojmë me anë të fesë Ligjin? Prite Zot! Përkundrazi, e përforcojmë.

Romakëve: 4. Shembulli i Abrahamit

4

1 Çka të themi se fitoi, pra, Abrahami, themeluesi i fisit tonë?

2 Nëse Abrahami u bë i drejtë në saje të veprave, atëherë ka për çka të mburret ‑ por jo para Hyjit. 3 Në të vërtetë, çka thotë Shkrimi i shenjtë? ‘Abrahami i besoi Hyjit dhe kjo iu njeh për drejtësi.’ 4 Punëtorit nuk i llogaritet rroga si lëmoshë, por si detyrë. 5 Përkundrazi, atij që nuk i bën veprat, por beson në Atë që shfajëson të shtrembërin, feja e tij i njihet si drejtësi, 6 sikurse edhe Davidi e shpall të lumtur atë njeri të cilin Hyji e bën të drejtë pavarësisht nga veprat:

7 ‘Të lumët ata të cilëve u janë falur fajet,

të cilëve u janë mbuluar mëkatet!

8 Lum ai njeri,

të cilit Hyji nuk do t’ia numërojë mëkatin!’

9 Kjo lumturi, tashti, a u përket vetëm të rrethprerëve apo edhe të parrethprerëve? Themi, pra: ‘Feja Abrahamit iu çmua drejtësi.’ 10 E si iu çmua? Kur ishte i rrethprerë apo kur ende nuk ishte i rrethprerë?

Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ende ishte i parrethprerë! 11 Shenjën e rrethprerjes e mori porsi vulën e drejtësisë, të cilën e fitoi me anë të fesë, ende para se të ishte i rrethprerë, që të bëhej ati i të gjithë besimtarëve: i të parrethprerëve ‑ që edhe feja e tyre t’u çmohej drejtësi ‑ 12 dhe ati i të rrethprerëve, por jo vetëm i atyre që janë të rrethprerë vetëm sipas Ligjit, por i atyre që, bashkë me këtë edhe jetojnë sipas fesë së Abrahamit, atit tonë, kur ende ishte i parrethprerë.

Premtimet realizohen me anë të fesë

13 Në të vëtetë, premtimi se Abrahami dhe pasardhësit e tij do ta trashëgojnë botën nuk iu bë me anë të ndonjë Ligji, por me anë të fesë. 14 Dhe njëmend, nëse trashëgimtarë bëhen sipas Ligjit, atëherë feja është e kotë dhe premtimi është pa farë vlere. 15 Sepse, Ligji sjell zemërimin; e ku nuk ka Ligj, nuk ka as kundërvajtje. 16 Prandaj, trashëgimtarë bëhemi me anë të fesë që, në saje të hirit premtimi të jetë i vlefshëm për të gjithë trashëgimtarët, e jo vetëm për ata nga Ligji, por edhe për ata që janë trashëgimtarë në saje të fesë së Abrahamit [i cili është ati ynë, i të gjithëve, 17 siç thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Po të bëj atin e shumë popujve’] ‑ para Atij të cilit i besoi, para Hyjit që ngjall të vdekurit dhe grish në jetë atë që nuk është.

18 Duke shpresuar kundër çdo shprese, ai besoi që të bëhet kështu ‘ati i shumë popujve’ sipas fjalës: ‘E tillë do të jetë pasardhësia jote!’ 19 Dhe me fe të palëkundshme ‑ edhe pse afërsisht njëqindvjeçar ‑ nuk dyshoi në trupin e vet pothuajse të vdekur dhe në kraharorin e Sarës edhe ai pothuajse i vdekur. 20 Nuk dyshoi në premtimin e Hyjit, por u forcua me anë të fesë dhe i dha lavdi Hyjit 21 plotësisht i bindur se çka i premtoi Hyji, ai edhe do ta çojë në vend. 22 Ja, pra, përse kjo gjë iu numërua për drejtësi.

23 Por nuk ishte shkruar vetëm për të: ‘iu numërua... ’, 24 por se do të na numërohet edhe neve, të cilët besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë, 25 i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.

Romakëve: 5. Adami dhe Krishti

5

1 Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, 2 nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. 3 Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, 4 qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, 5 e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.

6 Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. 7 E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. 8 Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. 9 E pasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. 10 Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! 11 Dhe, jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit tani fituam pajtimin.

Adami dhe Krishti

12 Për këtë arsye, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan... 13 ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, 14 prapë vdekja mbretëronte që prejAdamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.

15 Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. 16 E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. 17 Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja ‑ për shkak të një njeriu të vetëm ‑ me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin ‑ Jezu Krishtin.

18 Prandaj, mëkati i njërit ‑ dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit ‑ shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. 19 Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit ‑ të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë.

20 Ligji erdhi që të shumëzohet mëkati; porse, kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri, 21 që, sikurse mëkati mbretëroi me vdekjen, po ashtu edhe hiri të mbretërojë me drejtësinë ‑ për jetën e pasosur, nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Romakëve: 6. Të vdesim për kah mëkati që të jetojmë me Krishtin

6

1 Çka, pra, të themi? Të jetojmë në mëkat, që të shumëzohet hiri? 2 Prite Zot! Pasi vdiqëm për kah mëkati, si atëherë të jetojmë në të? 3 Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. 6 Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit , 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. 10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

12 Pra, mëkati të mos mbretërojë më në trupin tuaj të vdekshëm që t’u bindeni prirjeve të tij. 13 As mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si vegla padrejtësie, por vëreni veten në shërbim të Hyjit porsi të gjallë, të kthyer nga të vdekurit dhe gjymtyrët tuaja bëjini vegla drejtësie për Hyjin, 14 sepse mëkati s’do të zotërojë më me ju, pasi nuk jeni nën Ligj, por nën ndikimin e hirit.

T’i shërbejmë drejtësisë

15 Çka atëherë? Të mëkatojmë pasi nuk jemi nën Ligj, por nën hir? Prite Zot! 16 Pse, a nuk e dini: në qoftë se e vini veten në shërbim të dikujt për ta dëgjuar si skllevër, se jeni skllevër të atij që e dëgjoni: qoftë mëkatit ‑ për vdekje; qoftë dëgjesës ‑ për drejtësi? 17 Por, faleminderit Hyjit: ju, që më parë qetë robër të mëkatit, tani iu bindët me gjithë zemër rregullës së mësimit që ju qe dhënë. 18 Pra, të liruar nga mëkati, u bëtë tani shërbëtorët e drejtësisë.

19 Po flas në mënyrë njerëzore për arsye të natyrës suaj të ligshtë njerëzore: sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të fëlligështisë e të çrregullimit, që ju çonte në kryengritje kundër Hyjit ‑ ashtu tani vëreni në shërbim të drejtësisë që të shenjtëroheni. 20 Në të vërtetë, kur ishit robër të mëkatit, ishit të “lirë” nga drejtësia. 21 E ç’të mirë kishit atëherë? Tani turpëroheni për atë gjendje, sepse fundi i saj është ‑ vdekja. 22 Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është ‑ jeta e pasosur. 23 Pra, paga e mëkatit është vdekja, ndërsa jeta e pasosur është dhuratë e Hyjit, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Romakëve: 7. Krahasim me martesë

7

1 Apo ndoshta nuk e dini, o vëllezër, ‑ po flas me njerëz që e njohin Ligjin ‑ se Ligji e detyron njeriun derisa ai është në jetë? 2 Kështu gruaja e martuar është e lidhur me burrin prej ligjit derisa ai është gjallë; por, po i vdiq burri, është e lirë prej ligjit që e lidhte me burrin. 3 Pra, derisa ta ketë burrin gjallë, po shkoi me ndonjë tjetër, do të quhet kurorëthyese. Por, po qe se i vdes burri, është e lirë prej ligjit dhe nuk është kurorëthyese, nëse martohet me një burrë tjetër.

4 Kështu, vëllezërit e mi, edhe ju, në saje të trupit të Krishtit, vdiqët kundrejt Ligjit, që t’i përkitni një tjetri ‑ Atij që u ngjall nga të vdekurit ‑ që të japim fryte për Hyjin. 5 E njëmend, kur ne ishim ende nën sundimin e mishit, prirjet e mëkateve, të ngacmuara nga Ligji, vepronin në gjymtyrët tona që të jepnim fryte për vdekje. 6 E tani u liruam nga pushteti i Ligjit, pasi vdiqëm për natyrën e vjetër që na mbante në robëri, kështu që ne shërbejmë në një jetë të re të Shpirtit Shenjt, e jo më në jetën e vjetër të shkronjës.

Roli i Ligjit

7 Çka të themi atëherë? Se Ligji është mëkat? Mos, o Zot! Porse: për mëkatin nuk dita përveçse me anë të Ligjit, sepse nuk do të dija për prirje të keqe po të mos kishte thënë Ligji: “Mos lakmo!” 8 E mëkati, duke marrë rastin me anë të urdhrit, lindi në mua çdo lloj lakmimi. Sepse, pa Ligj, mëkati është i vdekur.

9 Po, unë dikur jetoja pa Ligj, por, kur erdhi urdhri, u ngjall mëkati, 10 e unë vdiqa. Kështu u pa se urdhri që duhej të më sillte jetën, më solli vdekjen, 11 sepse mëkati gjeti rastin që, me anë të urdhrit të më gënjejë dhe me anë të tij më vrau. 12 Kështu, pra, Ligji është i shenjtë, edhe urdhri është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

13 Po si atëherë një gjë e mirë për mua u bë vdekje? Kurrsesi! Porse, mëkati, duke u shërbyer me një gjë të mirë, për t’u treguar mëkat, më shkaktoi vdekjen ‑ që mëkati të bëhet me anë të urdhrit, mëkatar më i madh.

14 Dhe e dimë: Ligji është shpirtëror, kurse unë jam qenie trupore e shitur mëkatit si skllav. 15 Dhe, vërtet, nuk di çfarë veproj, sepse nuk bëj çka dëshiroj, por, përkundrazi, bëj çka urrej. 16 Tashti, nëse bëj çka nuk kisha dashur, jam në përkim me Ligjin dhe pranoj se është i mirë. 17 Atëherë, nuk jam unë ai që vepron ashtu, por mëkati që është në mua. 18 Dhe e di se e mira nuk banon në mua ‑ d. m. th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, 19 pasi nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj. 20 Në qoftë, pra, se bëj atë që [unë] nuk do të dëshiroja ta bëja, kurrsesi nuk jam ai që e bëj atë, por mëkati që banon në mua.

21 Gjej, pra, se është ky ligj: kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja. 22 Në qenien time të brendshme me kënaqje të plotë përkoj me Ligjin e Hyjit, 23 porse hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia.

24 Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes? 25 Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë! Prandaj: unë me mendje i shërbej Ligjit të Hyjit, kurse me trup ligjit të mëkatit.

Romakëve: 8. Shpirti i Hyjit jep jetën

8

1 Nuk ka, pra, tani kurrfarë dënimi për ata që janë në Jezu Krishtin. 2 Sepse, Ligji i Shpirtit Shenjt që më jep jetën në Jezu Krishtin, më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. 3 Vërtet, çka ishte e pamundur për Ligjin ‑ sepse natyra e njeriut e bënte të paaftë ‑ e bëri Hyji: Ai dërgoi Birin e vet në gjendjen e trupit të mëkatit, si fli për mëkatin dhe e dënoi mëkatin në trup, 4 në mënyrë që drejtësia, që kërkon Ligji, të plotësohet në ne që nuk jetojmë nën ndikimin e trupit, por të Shpirtit Shenjt.

5 E në të vërtetë: ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, jepen pas gjërave të trupit, e ata që jetojnë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, jepen pas gjërave shpirtërore: 6 të bësh çka dëshiron trupi, sjell vdekjen e të bësh çka dëshiron Shpirti Shenjt, sjell jetën e paqen. 7 Sepse, prirja e trupit është kundër Hyjit: nuk i bindet Ligjit të Hyjit, madje as nuk mundet. 8 Ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. 9 Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. 10 E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. 11 Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.

12 Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: 13 sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.

14 Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. 15 Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! 16 Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. 17 E nëse jemi fëmijë ‑ atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

Lumturia do të vijë

18 Në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. 19 E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: 20 krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë ‑ jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi ‑ porse njëmend në shpresë. 21 Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. 22 Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. 23 Dhe jo vetëm ajo! por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë. 24 Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë. Porse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë? 25 Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim, atë gjë e presim me qëndresë.

26 Kështu, pra, edhe Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme. 27 E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt ‑ se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.

28 Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. 29 Sepse, ata të cilët i ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

Dashuria e Hyjit

31 Çka, pra, të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? 32 Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? 33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! 34 Kush do të dënojë? Krishti [Jezus] vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit, ‑ Ai ndërmjetëson për ne! 35 Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? 36 Siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘Për shkak tënd na vrasin si një ditë për ditë, na çmojnë porsi dele të caktuara për t’u prerë.’ 37 E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.

38 Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, 39 as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Romakëve: 9. Hyji dhe populli i zgjedhur

9

1 Them të vërtetën në Krishtin ‑ nuk rrej ‑ dëshmitare kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: 2 ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. 3 Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombasve të mi për kah gjaku. 4 Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; 5 të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.

6 Por kjo s’do të thotë se fjala e Hyjit shkoi hupës: sepse nuk janë izraelitë të vërtetë të gjithë ata që rrjedhin prej Izraelit. 7 Po as nuk janë të gjithë fëmijë të Abrahamit vetëm pse rrjedhin prej tij. Pse u tha: ‘Pasardhësit e tu të vërtetë do të jenë ata që rrjedhin prej Izakut.’ 8 Që do të thotë: nuk janë bijtë e Hyjit ata që lindin me lindje natyrore, por ‑ vetëm bijtë e premtimit numërohen për trashëgimtarë. 9 Dhe njëmend, ja, fjala e premtimit: ‘Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë djalin.’ 10 Madje jo vetëm kaq! Edhe Rebeka mbeti shtatzënë me një njeri të vetëm ‑ me Izakun, atin tonë, 11 e binjakët ende nuk kishin lindur ‑ pra, nuk kishin pasur kur të bëjnë as mirë as keq ‑ por, që i pashlyeshëm të mbetej vendimi i zgjedhjes së lirë i Hyjit, jo në bazë të veprave, por të vullnetit të Atij që thërret ‑ 12 i qe thënë: ‘Djali i madh do t’i shërbejë të voglit’, 13 sikurse shkruan:

‘Jakobin e desha,

Ezaun e urreva.’

14 Çka të themi atëherë? A mos ka padrejtësi te Hyji?

Mos o Zot! 15 Sepse ai i thotë Moisiut: ‘Do të kem mëshirë për atë që dua të kem mëshirë, do të kem dhimbje për atë që dua të kem dhimbje.’

16 Kështu, pra, nuk është puna e atij që do ose e atij që sulet, por e Hyjit që bën mëshirë. 17 Sepse Shkrimi i shenjtë i thotë faraonit: ‘Pikërisht për këtë gjë të ngrita që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe që të shpallet Emri im gjithkund mbi mbarë dheun.’ 18 Kështu, pra, Hyji ka mëshirë për atë që do, e bën kokëfortë atë që do.

Zemërimi dhe mëshira e Hyjit

19 Por atëherë do të më thuash:

Pse [atëherë] ankohet? Kush është ai që mund t’i kundërshtojë vullnetit të tij?

20 O njeri, e kush je ti që do të hysh në rragatje me Hyjin? A thua ena ka të drejtë t’i thotë mjeshtrit: ‘Përse më bëre të tillë?’ 21 Po a thua s’ka të drejtë vorbëtari mbi argjilën, që prej të njëjtës baltë të punojë një enë për përdorim bujar e një tjetër për përdorim jo bujar? 22 Po çka, nëse Hyji, duke dashur të dëftojë zemërimin dhe të shpallë pushtetin e vet i mbarti me duresë të patregueshme enët e zemërimit, të gatshme për t’i zhdukur, 23 me qëllim që ta bënte të njihej pasuria e lavdisë së tij kundrejt enëve të mëshirës, të cilat që më parë i bëri gati për lumturi, 24 kundrejt nesh, të cilëve na grishi jo vetëm nga hebrenjtë, por edhe nga paganët?

25 Kështu edhe në librin e Ozesë, thotë:

‘Një popull që s’ka qenë imi, do ta quaj,

Populli im:

kombësinë që s’ka qenë e dashura ime, do ta quaj:

E dashura.’

26 Po edhe në vendin ku u qe thënë: ‘Ju nuk jeni

populli im’, do të quhen bijtë e Hyjit të gjallë.’

27 Edhe Isaia shprehet lidhur me Izraelin: “Edhe pse bijtë e Izraelit do të jenë shumë si rëra e detit ‑ Teprica do të shëlbohet; 28 sepse Zoti do ta plotësojë krejtësisht e me gatishmëri fjalën e vet mbi tokë.’

29 Isaia ka parafolur edhe kështu:

“Po të mos na e kishte ruajtur Zoti i Gjithësisë farën,

do të ishim bërë si Sodoma,

Gomorrës do t’i kishim përngjarë.”

Izraeli dhe Ungjilli

30 Çka të themi atëherë?

Paganët që nuk e kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë ‑ mendoj drejtësinë që vjen prej fesë ‑; 31 ndërsa Izraeli, që kërkon një farë Ligji që mund të japë drejtësinë, i kaloi përbri.

32 Përse?

Sepse drejtësinë nuk e priti prej fesë, por mendonte se do të rridhte nga veprat. 33 Zunë në thua në gurin e pengesës, siç është në Shkrimin e shenjtë:

‘Ja po vë në Sion gurin e pengesës

dhe qetën në të cilën thyhet qafa.

Porse ai që të besojë në të, nuk do të turpërohet.’

Romakëve: 10. Shëlbimi për të gjithë njerëzit

10

1 Vëllezër! Dëshira e zemrës sime dhe lutja që ia drejtoj Hyjit është: që të shëlbohen. 2 Për të vërtetë, unë dëshmoj për ta: kanë zell për Hyjin, por mjerisht, jo në kuptimin e vërtetë, 3 sepse, duke mos e pranuar drejtësinë që vjen prej Hyjit e duke kërkuar të vendosin të vetën, nuk iu bindën drejtësisë së Hyjit. 4 Sepse, ai që i dha fund Ligjit të Moisiut është Krishti ‑ për shenjtërimin e secilit që beson.

Shëlbimi për të gjithë njerëzit

5 Vërtet, Moisiu shkruan për drejtësinë që vjen nga Ligji: ‘Njeriu që e zbaton do të jetojë në saje të tij.’ 6 Kurse drejtësia që vjen nga feja thotë kështu: ‘Mos thuaj në zemrën tënde: Kush do të ngrihet në qiell? ‑ d. m. th. për të bërë që të zbresë Krishti; 7 as: Kush do të zbresë në Nëntokë? ‑ d. m. th. për të bërë që Krishti të ngrihet prej të vdekurish. 8 E çka thotë, pra?

‘Afër e ke fjalën,

në gojën tënde dhe në zemrën tënde.’

d. m. th. fjalën e fesë që ne predikojmë.

9 Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. 10 Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. 11 Sepse, Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Kush beson në Të nuk do të turpërohet.’

12 Kështu, pra, nuk ka dallim mes hebreut e grekut: të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur kundrejt atyre që e thërrasin në ndihmë. 13 Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

14 Por, si do ta thërrasin Atë, në të cilin nuk besuan? E si do të besojnë në Atë, për të cilin nuk dëgjuan? Si do të dëgjojnë, nëse ndokush nuk ua predikon? 15 E si do ta predikojnë pa qenë dërguar? Kështu është në Shkrimin e shenjtë:

‘Sa të bukura janë këmbët

e atyre që sjellin sihariq!’

16 Por të gjithë nuk iu bindën Ungjillit. Sepse Isaia thotë:

‘O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?’

17 Kështu, pra, besimi vjen nga predikimi, e predikimi është shpallja e Fjalës së Zotit.

18 Atëherë pyes: A nuk dëgjuan?

Po si jo! ‘Zëri i tyre mori mbarë dheun, e fjalët e tyre arritën deri në skajet e botës.’

19 Prapë pyes: A thua Izraeli nuk e kuptoi?

I pari tha Moisiu:

‘Unë do t’ju bëj smirëzezë me anë të një populli që s’është farë Populli,

do t’u ngacmoj me anë të një populli të marrë.’

20 Pastaj Isaia guxon të thotë edhe më tepër:

‘Më gjetën ata që nuk më kërkuan,

u jam dëftuar atyre që nuk më pyetnin.’

21 E këto fjalë ia drejton Izraelit:

‘Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt Popullit që nuk dëgjon por kundërshton.’

Romakëve: 11. Teprica e Izraelit

11

1 Pra, po pyes: A thua Hyji e përbuzi e vet?

Larg qoftë! Sepse edhe vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Beniaminit. 2 Hyji nuk e ka refuzuar e vet të cilin e ka zgjedhur që më parë. Pse a nuk e dini ç’thotë Shkrimi i shenjtë në atë vend ku Elia i ankohet Hyjit kundër Izraelit? 3 “O Zot, i vranë profetët e tu, i rrënuan lterët e tu; unë mbeta vetëm, po edhe mua kërkojnë të më mbysin!” 4 E çka iu përgjigj Hyji? ‘I lashë për vete shtatë mijë burra, të cilët nuk u gjunjëzuan para Baalit.’

5 Kështu edhe në kohën e tanishme është Teprica, që Hyji e zgjodhi prej mirësisë së vet. 6 Nëse është në saje të hirit, nuk është sipas veprave, përndryshe hiri s’do të ishte më hir.

7 Ç’të themi atëherë?

Çka Izraeli kërkon, nuk e fitoi; e fituan vetëm ata që Hyji i zgjodhi. Të tjerët u verbuan, 8 siç është në Shkrimin e shenjtë:

‘Hyji u dha shpirtin e molisjes,

sytë që nuk shohin,

veshët që nuk dëgjojnë,

madje deri në ditën e sotme.’

9 Po edhe Davidi thotë.

‘Tryeza e tyre u bëftë për ta kurth e lak,

shkëmb rrëzimi e ndëshkim i drejtë!

10 U verbofshin sysh e mos pafshin;

kurrizin e tyre kërruse përgjithmonë!’

Shëlbimi i paganëve

11 Pra, po pyes:

A thua u rrëzuan për t’u bjerrë për amshim?

Kurrsesi! Përkundrazi: me rënien e tyre u erdhi shëlbimi paganëve që hebrenjtë të nxiten në zili. 12 Tani, në qoftë se rënia e tyre është fitim për botën e, në qoftë se numri i pakët i besimtarëve prej tyre, është fitim për paganët, aq më tepër do të jetë fitim kur të kthehen të gjithë!

13 E juve, o paganë, po ju them: unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time 14 nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë prej tyre. 15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë?

16 Në qoftë se mielli është i shenjtë, i shenjtë është edhe brumi; në qoftë se rrënja është e shenjtë, të shenjta janë edhe degët. 17 E në qoftë se disa degë u thyen e ti, ulli i egër, u shartove në vend të tyre e kështu u bëre pjesëtar i të mirave të rrënjës e të lëngut të ullirit, 18 mos u mburr kundrejt degëve: po nëse të shkon në mend të mburresh mos harro se nuk e mbart ti rrënjën, por rrënja ty!

19 Por, ti do të thuash patjetër:

Degët u thyen që unë të shartohem!

20 Po, mirë e ke! Ata, pse nuk besuan, u thyen, ti qëndron në saje të fesë. Mos u kreno, por druaj! 21 Sepse, në qoftë se Hyji nuk i kurseu degët natyrore, nuk do të të kursejë as ty! 22 Vëreje, pra, mirësinë dhe ashpërsinë e Hyjit! Ashpërsinë kundrejt të parëve e mirësinë e Hyjit kundrejt teje, nëse madje do të qëndrosh në këtë mirësi, përndryshe edhe ti do të pritesh. 23 Por edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Hyji ka mundësi t’i ngjesë përsëri. 24 Dhe njëmend, nëse ti, sipas natyrës ulli i egër, i prerë dhe, jashtë natyrës, u shartove në ulli të butë, sa më lehtë ata që janë të kësaj natyre do të mund të shartohen në ullirin e vet.

Kthimi i popullit të Izarelit

25 Vëllezër, ja një fshehtësi që dua t’jua njoftoj që të mos e mbani veten për të dijshëm: ngurrimi i një pjese të Izraelit zgjat derisa paganët në përgjithësi të kthehen. 26 Atëherë mbarë Izraeli do të shëlbohet siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Nga Sioni do të vijë Çliruesi,

ai do ta largojë mosbesimin prej Jakobit.

27 Dhe kjo do të jetë Besëlidhja ime me ta

kur unë të zhduk fajet e tyre.’

28 Në lidhje me Ungjillin, ata janë armiq, por për të mirën tuaj; por, si popull i zgjedhur, janë të dashur prej Hyjit për arsye të etërve, 29 sepse dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.

30 Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, 31 ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. 32 Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij!

34 E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit?

Kush iu bë Atij këshilltar?

35 Kush i dha Atij më parë

që të jetë detyrë t’i kthehet?’

36 Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!

Romakëve: 12. Jeta e re në Krishtin

12

1 Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit ‑ porsi kultin tuaj shpirtëror. 2 Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtëriteni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

3 Në emër të hirit që më është dhënë i them secilit prej jush: mos e çmoni veten më tepër se duhet ta çmoni, por vlerësojeni veten me vlerësim të drejtë, secili sipas masës së fesë që ia dhuroi Hyji. 4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk e kanë të njëjtin funksion, 5 kështu edhe ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm në Krishtin e, secili prej nesh, gjymtyrë e njeri‑tjetrit. 6 Kemi dhurata të ndryshme sipas hirit që na u dha:

Në qoftë dhurata e profecisë

‑ le të ushtrohet në përkim me fenë;

7 në qoftë dhurata e shërbimit

‑ le të jetë në shërbim;

në qoftë dhurata e dhënies së mësimeve

‑ le të japë mësime;

8 në qoftë dhurata e këshillit

‑ le të këshillojë;

kush ndan

‑ le të jetë bujar;

kush është i parë

‑ le të jetë i kujdesshëm;

kush bën vepra mëshire

‑ le t’i bëjë me gëzim!

Sjelljet e jetës së krishterë

9 Dashuria le të jetë e çiltër. Ikuni me urrejtje veprave të këqija e ndiqni veprat e mira! 10 Duajeni njëri‑tjetrin me dashuri vëllazërore! Prijini njëri‑tjetrit duke nderuar shokun më parë e më tepër! 11 Në kujdesin ndaj të tjerëve të jeni të shpejtë, në shpirt të nxehtë; Zotit shërbejini! 12 Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në lutje të qëndrueshëm! 13 Ndihmoni të krishterët që kanë nevojë, ushtroni mikpritjen!

14 Bekojini salvuesit tuaj! Bekojini e mos i mallkoni! 15 Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë! 16 Jini në përkim me njëri‑tjetrin! Mos dëshironi nderime të larta, përkundrazi t’ju tërheqin ato të përvuajturat! Mos ia mbushni mendjen vetes se jeni të urtë! 17 Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe! Kini kujdes të bëni mirë para të gjithë njerëzve! 18 Nëse është e mundur ‑ aq sa varet prej jush ‑ jini në paqe me të gjithë njerëzit!

19 Mos u hakmerrni, o të dashur, po lini vend të veprojë hidhërimi i Hyjit, sepse është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem, ’ thotë Zoti. 20 Ti përkundrazi:

‘Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë,

nëse është i etur, jepi të pijë!

Po bëre kështu,

gaca të ndezura do të grumbullosh mbi kokën e tij!’

21 Mos lejo të të mundë e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira!

Romakëve: 13. Nënshtrimi pushtetit të ligjshëm

13

1 Çdo njeri le t’i nënshtrohet autoritetit që ka mbi vete. Sepse, nuk ka pushtet që nuk vjen prej Hyjit: ato që janë i ka vënë Hyji. 2 Prandaj, ai që i kundërshton pushtetit, i kundërshton rendit të vendosur prej Hyjit; ata që i kundërshtojnë, dënojnë vetveten. 3 Sepse eprorët nuk kanë pse të druhen kur veprohet mirë, por kur veprohet keq. A dëshiron të mos e druash pushtetin? Bëj të mirën dhe do të fitosh lëvdata prej pushtetit! 4

Sepse pushteti është shërbëtor i Hyjit ‑ për të mirën tënde. Përkundrazi, nëse bën keq, trembu! Nuk e mbart kot shpatën! Shërbëtori i Hyjit është: shfren hidhërimin e Hyjit në atë që bën të keqen. 5 Prandaj, duhet të nënshtrohemi, jo vetëm për shkak të frikës së ndëshkimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes. 6 Po për këtë arsye duhet të paguani edhe tatimet: sepse ata që merren me këtë gjë janë nëpunësit e Hyjit. 7 Jepni gjithkujt çka i përket: tatimtarit tatimin, doganierit doganën, atij që është për t’u druajtur, drojën, atij që është për nderim, nderimin.

Dashuria vëllazërore

8 Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri‑tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin. 9 Sepse:

Mos bëj kurorëthyerje!

Mos vra!

Mos vidh!

Mos lakmo!

e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër ‑ është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i Ligjit.

Po afrohet Dita e Krishtit

11 Aq më tepër pasi e dini kohën në të cilën jetojmë: tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. 12 Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. 13 Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. 14 Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot e në kujdes për trupin, mos i kënaqni prirjet e ulta.

Romakëve: 14. Mos i gjykoni vëllezërit

14

1 Pranojeni në bashkësi atë që s’është mjaft i fortë në fe, por pa e qortuar për mendimet që ka. 2 Dikush mendon se mund të hajë çdo gjë, ndërsa i ligshti në fe ha vetëm barishte. 3 Ai që ha, mos ta përbuzë atë që nuk ha; por, edhe ai që nuk ha, mos ta gjykojë keq atë që ha, sepse Hyji e ka pranuar për të vetin. 4 Kush je ti që guxon ta gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Si në qëndroftë në këmbë, si në u rrëzoftë, është puna e zotërisë së tij! Porse do të qëndrojë sepse Zoti është i zoti t’ia japë dorën, në mënyrë që të mos rrëzohet.

5 Dikush mendon se një ditë është më e rëndësishme se një tjetër, kurse për një tjetër të gjitha ditët janë të barabarta. Secili veç të jetë plotësisht i bindur për mendimin e vet! 6 Ai që e çmon një ditë më të rëndësishme se një tjetër, e bën atë gjë për dashurinë e Zotit; po edhe ai që ha, për dashurinë e Zotit ha: sepse e falënderon Hyjin. Po edhe ai që nuk ha, për dashurinë e Zotit nuk ha, dhe e falënderon Hyjin.

7 Në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. 8 E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim ‑ jemi të Zotit. 9 Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. 10 E ti, pse e gjykon vëllain tënd? Pse ti e përbuz vëllain tënd? Të gjithë, pra, do të qëndrojmë para gjykatores së Hyjit! 11 Sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Pasha jetën time ‑ thotë Zoti ‑

para meje do të përkulet çdo gju

dhe çdo gjuhë do ta lëvdojë Hyjin!’

12 Prandaj, secili prej nesh do t’i japë llogari Hyjit për vetvete.

Mos i shkandulloni vëllezërit

13 Prandaj, mos ta gjykojmë më njëri‑tjetrin, por më mirë të vendosemi që të mos i bëhemi vëllait rast mëkati ose shkandulli. 14 E di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus: asnjë gjë nuk është në vetvete i papastër. Por një gjë është i papastër për atë që e vlerëson për të papastër. 15 Por, nëse për arsye të ngrënies së ndonjë ushqimi, trishtohet vëllai yt, ti nuk sillesh më sipas udhës së dashurisë. Mos e humb me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq!

16 Mos bëni të shahet liria juaj! 17 Sepse Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. 18 Kush, vërtet, i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Hyjit dhe njerëzit e nderojnë. 19 Prandaj, të mundohemi të bëjmë të përparojë paqja e t’i japim njëri‑tjetrit shembull të mirë. 20 Mos e prish veprën e Hyjit për shkak të ushqimeve! Vërtet, të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, duke ngrënë, shkandullon tjetrin. 21 Është mirë të mos hash mish e të mos pish verë e të mos hash ndonjë gjë tjetër që mund ta shkandullojë vëllain tënd. 22 Mbushmendjen tënde mbaje ti për vete para Hyjit. I lumi ai që nuk e dënon vetveten, kur vendos çka duhet zgjedhur. 23 Por ai që ha duke dyshuar a është e lejushme apo jo, e ka dënuar veten, sepse nuk vepron sipas bindjes. Çdo gjë që bëhet pa mbushmendje të fesë, është mëkat.

Romakëve: 15. T’i plotësojmë jo dëshirat tona, por ato të të tjerëve

15

1 Ne që jemi të fortë e kemi për detyrë t’i mbartim të metat e të ligshtëve e jo të kërkojmë çka neve na pëlqen. 2 Secili prej nesh të mundohet t’i pëlqejë të afërmit të vet, për të mirën e tij, që të përparojë në fe, 3 sepse as Krishti nuk kërkoi t’i pëlqejë vetvetes, por, siç është në Shkrimin e shenjtë:

‘Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.’

4 Tashti, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi i shenjtë, të kemi shpresë. 5 E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim me njëri-tjetrin siç dëshiron Jezu Krishti, 6 në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit.

Ungjilli si për hebrenj ashtu për grekë

7 Prandaj, pranojeni njëri‑tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. 8 Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve 9 e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Prandaj do të të lavdëroj ndër paganë

dhe do t’i këndoj këngë Emrit tënd!’

10 Edhe përsëri thuhet:

‘Brohoritni, popuj paganë, bashkë me e tij!’

11 E prapë:

‘Lëvdojeni Zotin, mbarë popujt paganë!

E lavdërofshin të gjitha kombet!’

12 Përsëri Isaia thotë:

‘Do të shfaqet Pinjolli i Jeseut

i ngritur për të sunduar paganët;

në Të paganët do të shpresojnë.’

13 Dhe Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj që, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kurrë të mos ju mungojë shpresa!

Shërbesa misionare e Palit

14 E sa për ju, vëllezërit e mi, jam plotësisht i bindur se edhe ju vetë jeni plot mirësi, plot me çdo dije, të aftë për të këshilluar njëri‑tjetrin. 15 Megjithatë, ju shkrova pjesërisht pak si më guximshëm, për t’jua përkujtuar gjërat pak a shumë të njohura. E bëra këtë në saje të hirit që më është dhënë prej Hyjit ‑ 16 për të qenë mbarështues i Krishtit Jezus ndër paganë, meshtar i Ungjillit të Hyjit, që paganët, të shenjtëruar prej Shpirtit Shenjt, të bëhen kusht i pëlqyeshëm Hyjit.

17 Kam, pra, pse të mburrem në Jezu Krishtin për veprën që kryej për Hyjin. 18 Sepse, nuk do të guxoja të përmend asgjë tjetër, përveç sa Krishti bëri nëpër mua për kthimin e paganëve në dëgjesë me anë të fjalës e të veprës, 19 me fuqi të shenjave e të mrekullive dhe me fuqi të Shpirtit Shenjt. Kështu, që prejJerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit 20 e madje u përpoqa ta shpall, jo atje ku ishte i njohur Emri i Krishtit ‑ që të mos ndërtoja mbi themelet e tjerëve ‑ 21 por, siç është në Shkrimin e shenjtë:

Do ta shohin ata, ndër të cilët nuk qe kumtuar,

do ta kuptojnë ata, të cilët për të nuk kanë dëgjuar.’

Plani i Palit për të vizituar Romën

22 Kjo gjë edhe më së shumti më pengoi të vij te ju. 23 Tani veç, pasi nuk më ka mbetur fushatë veprimi në këto anë e, tash sa vjet kam dëshiruar së tepërmi të vij te ju 24 kur të nisem për Spanjë... Shpresoj, pra, se në udhëtim për atje, do t’ju shoh dhe se ju do të më përcillni me çka më lypet për atje, pasi një herë, sado pak, të kënaqem në praninë tuaj.

25 Tani veç, po shkoj për Jerusalem, për t’ju sjellë ndonjë shërbim shenjtërve, 26 sepse Maqedonia dhe Akaja vendosën t’u dërgojnë një ndihmë shenjtërve të varfër të Jerusalemit. 27 Po, vetë deshën, por e kanë edhe për detyrë, sepse, pasi paganët u bënë pjesëtarë të të mirave shpirtërore të tyre, janë të detyruar t’i ndihmojnë me të mira materiale.

28 Pasi ta kem kryer këtë punë ‑ t’ua kemi dorëzuar zyrtarisht këtë dhuratë ‑ do të nisem për Spanjë e, në kalim, për te ju. 29 E di se kur të vij te ju, do të vij plot me bekime të Krishtit.

30 Ju përbej [vëllezër] me Jezu Krishtin, Zotin tonë, e me dashurinë e Shpirtit Shenjt, luftoni bashkë me mua me lutjet që për mua ia drejtoni Hyjit: 31 të më shpëtojë prej të pafeve të Judesë dhe që ndihma ima që po e çoj në Jerusalem t’u pëlqejë shenjtërve; 32 kështu që, në dashtë Perëndia, të vij te ju plot hare e të pushoj bashkë me ju.

33 Hyji, burimi i paqes, qoftë me ju të gjithë. Amen.

Romakëve: 16. Përshëndetje personale

16

1 Po jua porosis Febën, motrën tonë [e] që është diakonesha e kishës së Kenhreut. 2 Pranojeni në Zotin si u ka hije shenjtërve dhe ndihmojeni në gjithçka të ketë nevojë për ju, sepse edhe ajo ka qenë mbrojtëse për shumëkënd si dhe për mua.

3Përshëndetni Priskën e Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Jezu Krishtin, 4 të cilët, për të ma shpëtuar jetën e kanë vënë kokën e vet në gërshërë. I falënderoj, jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e paganëve. 5 Përshëndeteni kishën që bashkohet në shtëpinë e tyre.

Përshëndeteni edhe Epenetin, të dashurin tim, frytin e parë të Azisë për Krishtin. 6 Të fala edhe Marisë, që aq fort është munduar për ju. 7 Të fala edhe Andronikut e Junies, kushërinjve të mi dhe shokëve të burgut; ata janë të përmendur ndër apostuj dhe kanë qenë para meje të Krishtit. 8 Të fala Ampliatit, të dashurit tim në Zotin. 9 Të fala edhe Urbanit, bashkëpunëtorit tonë në Krishtin, po edhe Stakës, të dashurit tim. 10 Të fala edhe Apelit, të provuarit në Krishtin. Të fala edhe Aristobulajve. 11 Të fala edhe Herodionit, kushëririt tim. Të fala edhe Narcisajve, që janë në Zotin. 12 Përshëndetni edhe Trifenën dhe Trifozën, të cilat veprojnë për Zotin. Të fala edhe Persidës së dashur, e cila ka vuajtur shumë për Zotin. 13 Të fala edhe Rufit, të zgjedhurit në Zotin, edhe nënës së tij dhe simes. 14 Të fala edhe Asinkritit, Flegontit, Ermes, Patrobit, Ermanit dhe vëllezërve që janë me ta. 15 Të fala edhe Filologut dhe Julisë, Nereut e motrës së tij e Olimpës dhe të gjithë shenjtërve që janë me ta. 16 Përshëndeteni njëri‑tjetrin me të puthur të shenjtë. Ju përshëndesin të gjitha kishat e Krishtit.

17 Ju lutem, o vëllezër, të ruheni prej atyre që shkaktojnë përçarje dhe shkanduj në dëm të mësimit në të cilin jeni mësuar: rrini larg tyre! 18 Sepse të tillët nuk i shërbejnë Krishtit, por barkut të vet dhe, me fjalë të bukura e të ëmbla, gënjejnë zemrat e njerëzve të thjeshtë. 19 Zëri i dëgjesës suaj ka arritur gjithkund. Sa për ju, pra, jam shumë i gëzuar e dëshiroj të jeni të urtë për sa i përket së mirës e të jeni të pastër nga çdo e keqe. 20 Hyji, autori i paqes, do ta dërrmojë për së shpejti djallin nën këmbët tuaja.

Hiri i Jezusit, Zotit tonë, qoftë me ju!

21 Ju përshëndet Timoteu, bashkëpunëtori im, edhe Luci, Jasoni dhe Sosipatri, kushërinjtë e mi.

22 Ju përshëndes në Zotin edhe unë Terci, që e shkrova këtë letër.

23 Ju bën të fala Gaji, mikpritësi im dhe i mbarë kishës. Të fala ju bën Erasti, arkëtari i qytetit edhe vëllai Kuarti. [24]

Doksologjia ‑ Lavdia Hyjit

25 Atij që mund t’ju forcojë ‑

sipas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit,

sipas zbulesës së Misterit,

të mbajtur fshehur për kohë të amshuara,

26 por tani të shfaqur dhe, me anë të

shkrimeve të profetëve,

me urdhër të Hyjit të amshuar,

të lajmëruar mbarë popujve paganë

për t’i sjellë në dëgjesën e fesë ‑

27 Një të vetmit Hyj, të Gjithëdijshmit,

i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi

në shekuj të shekujve. Amen.