Titit: 1. Veprimi i Titit në Kretë

1

1 Pali, shërbëtori i Hyjit dhe apostulli i Jezu Krishtit për t’i kthyer në fe të zgjedhurit e Hyjit dhe për t’i bërë ta njohin të vërtetën që mëson përshpirtërinë, 2 me shpresë në jetën e pasosur, të cilën e premtoi Hyji – që kurrë nuk gënjen, para kohërave të amshuara 3 dhe, në kohën e caktuar, e dëftoi fjalën e vet me anë të predikimit që m’u besua mua me urdhër të Hyjit, Shëlbuesti tonë:

4 Titit, birit të vërtetë në saje të fesë së përbashkët: Hir dhe paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Shëlbuesit tonë.

Veprimi i Titit në Kretë

5 Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të kryesh çka mbetet për t’u rregulluar dhe të caktosh udhëheqës në çdo qytet sipas porosive që të kam dhënë.

6 Kandidati duhet të jetë i patëmetë, i martuar vetëm një herë, fëmijët t’i ketë besimtarë që nuk përfliten për sjellje të shfrenuar dhe për padëgjesë. 7 Sepse, mbikëqyrësi, si mbarështues i Hyjit, duhet të jetë i patëmetë: jo i vrazhdë, jo idhnak, jo pijanec, jo arrogant, jo lakmues i fitesës së ndytë, 8 por mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, zotërues i vetvetes, 9 i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit, që të jetë i zoti të japë zemër në mësimin e shëndoshë dhe t’ua mbushë mendjen kundërshtarëve.

10 Vërtet, ka shumë prej atyre që nuk nënshtrohen, që flasin shumë dhe gënjejnë – sidomos ata që vijën nga rrethprerja. 11 Atyre duhet t’u mbyllet goja, sepse të tillët pështjellojnë familje të tëra duke mësuar çka nuk duhet dhe këtë e bëjnë me qëllim të fitimit të ndytë.

12 Dikush prej tyre, një profet i tyre, tha:

»Kretasi gjithmonë rrenacakë,

egërsira të këqija, barqe përtace!«

13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Këndej edhe qortoji me ashpërsi, që ta kenë fenë e shëndoshë 14 dhe të mos i dëgjojnë përrallat e judenjve as urdhrat e njerëzve që e përbuzin të vërtetën.

15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër; kurse për të ndytët dhe për ata që nuk besojnë, s’ka gjë të pastër, por i kanë të ndyta mendtë dhe ndërgjegjen. 16 Pohojnë se Hyjin e njohin, por me vepra e mohojnë – janë të ndytë, kryekëcyer dhe të papërshtatshëm për çdo vepër të mirë.

Titit: 2. Predikimi i mësimit të shëndoshë

2

1 Ti veç, mëso çka është në përkim me mësimin e shëndoshë: 2 që pleqtë të jenë të përkormë, të ndershëm, të urtë, të shëndoshë në fe, në dashuri dhe në qëndresë. 3 Po ashtu edhe plakat: të kenë sjellje si u ka hije shenjtërve: jo shpifëse, jo të dhëna pas verës, por mësuese të së mirës: 4 t’i mësojnë gratë e reja t’i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: 5 të jenë të urta, të pastra, shtëpiake me mend, të mira, t’u binden burrave të vet – që fjala e Hyjit të mos shahet.

6 Po ashtu nxiti të rinjtë që të jenë të përkormë. 7 Në çdo gjë ji shembull me vepra të mira: në mësim - përpikërinë, denjësinë; 8 fjala të jetë e shëndoshë, e patëmetë që kundërshtari, duke mos pasur çka të flasë keq për ne, të turpërohet.

9 Skllevërit le t’u nënshtrohen zotërinjve të vet në gjithçka; të mundohen t’u pëlqejnë dhe të mos u kundërshtojnë me fjalë, 10 të mos vjedhin, por vazhdimisht të japin provën e besnikërisë së vërtetë. Kështu do t’i japin lavdi në gjithçka mësimit të Hyjit, Shëlbuesit tonë.

11 Vërtet u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. 12 Ai na mëson t’i biem mohit mosbesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, 13 duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. 14 Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.

15 Për këto gjëra fol, këto porositi dhe qorto me çdo pushtet!

Askush të mos ketë guxim të të përbuzë!

Titit: 3. Detyrat e përgjithshme të besimtarit

3

1 Përkujtoju se u duhet t’i nënshtrohen pushtetit dhe autoritetit: t’i dëgjojnë, të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë.

2 Të mos fyejnë askënd, t’u shmangen grinjdeve, të lëshojnë pe, të tregojnë butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve.

3 Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, të padëgjueshëm; endeshim larg së vërtetës, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme; kemi jetuar, në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur; kemi urryer njëri-tjetrin.

4 Por, kur, u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve 5 Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drjetësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, 6 të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, 7 që, të shfajësuar me anë të hirit të tij të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur. 8 Kjo fjalë është e denjë për t’u besuar dhe dua që të përsëritësh pa pushim që ata, që besuan në Hyjin, të mundohen të jenë të parët në vepra të mira. Kjo gjë është e bukur dhe e dobishme për njerëzit.

9 Kurse diskutimeve të marra, gjenealogjive, grindjeve dhe përleshjeve lidhur me Ligjin, ikju! Ato janë të padobishme dhe të kota. 10 Me feshtrembërin, pasi ta kesh qortuar një ose dy herë, mos ki punë më me të, 11 pasi e di mirë se është njeri jashtë rruge dhe vazhdon në mëkate: ai vetë e dënon vetveten.

Porosi personale dhe përshëndetje

12 Kur ta dërgoj te ti Artemin ose Tihikun, nisu e eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa të kaloj dimrin.

13 Jepu çka u nevojitet për udhëtim Zenës, juristit, dhe Apolonit që të mos u mongojë gjë. 14 Kështu edhe tanët le të mësojnë të jenë të parët për vepra të mira lidhur me nevojat jetësore që të mos jenë të pafrytshëm.

15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua.

Përshëndeti ata që na duan në fe. Hiri qoftë me ju të gjithë!