2 e Selanikasve: 1. Gjyqi në Ardhjen e Krishtit

1

1 Pali, Silvani dhe Timoteu:

Kishës së selanikasve që është në Hyjin, Atin tonë, dhe në Jezu Krishtin, Zot.

2 Paçi hir e paqe prej Hyjit Atë dhe prej Jezu Krishtit Zot!

Gjyqi në Ardhjen e Krishtit

3 Vëllezër, gjithmonë na duhet ta falënderojmë Hyjin për ju, siç është e drejtë, sepse jashtëzakonisht rritet feja juaj dhe shtohet dashuria e secilit prej jush kundrejt njëri‑tjetrit, 4 aq sa ne mburremi me ju në të gjitha kishat e Hyjit për arsye të qëndresës dhe të fesë suaj ndër të gjitha salvimet dhe vështirësitë që ju me duresë i mbartni. 5 Ato janë shenja e gjyqit të drejtë të Hyjit dhe kanë për qëllim t’ju bëjnë të denjë për Mbretërinë e Hyjit, për të cilën edhe pësoni. 6 E njëmend është e drejtë që Hyji ë japë mundim atyre që ju salvojnë, 7 kurse juve, të salvuarve, t’ju dhurojë bashkë me ne pushimin në Ditën e Zbulesës së Zotit Jezus, kur të vijë prej qiellit bashkë me engjëjt e pushtetit të vet 8 me zjarr të ndezur flakë dhe të hakmerret mbi ata që nuk duan ta njohin Hyjin dhe mbi ata që nuk duan ta dëgjojnë Ungjillin e Jezusit, Zotit tonë. 9 Të tillët do të ndëshkohen me dënimin e pasosur larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e madhërisë së tij, 10 atëherë, kur të vijë ‑ atë Ditë ‑ për të qenë lavdëruar në shenjtërit e vet dhe për ë dëftuar i mrekullueshëm në të gjithë ata që kanë besuar: tashti ju i besuat dëshmisë sonë.

11 Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. 12 Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju po edhe ju në Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.

2 e Selanikasve: 2. Njeriu i fajit Antikrishti

2

1 Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, 2 mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi gjasme profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre gjasme të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit! 3 Mos lejoni t’ju gënjejë kush në asnjë mënyrë! Sepse njëherë duhet të ndodhë rënia nga feja (apostazia) dhe të shfaqet Njeriu i fajit, biri i Bjerrjes, 4 Kundërshtari, ai që e ngre veten kundër çdo qenieje që quhet Hyj dhe gjë e shenjtë, sa që ta vërë veten edhe në Tempull të Hyjit, duke e paraqitur veten për Hyj.

5 Po a nuk ju bie ndër mend se kur isha ndër ju, jua thosha këtë gjë? 6 Tani e dini çka e ndalon, që të shfaqet vetëm në kohën e vet. 7 Vërtet, misteri i paudhësisë është tashmë në veprim, por është diçka që e ndalon derisa të hiqet tutje. 8 Atëherë do të shfaqet i Paudhi, të cilin Zoti [Jezus] do ta mbysë me frymën e gojës së vet dhe do ta zhdukë me shkëlqimin e Ardhjes së vet të dukshme. 9 I Paudhi do të vijë me pushtetin e Satanit dhe do të bëjë gjithfarë mrekullish, shenjash dhe çudish të rreme. 10 Ai me ngashnjime të padrejta do t’i gënjejë ata që birren për arsye se nuk e pranuan dashurinë e të vërtetës që i kishte shëlbuar. 11 Prandaj edhe Hyji ua dërgon një fuqi që i bën të gabojnë e t’i besojnë gënjeshtrës, 12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan të vërtetës, por përqafuan padrejtësinë.

Jeni të zgjedhur të shëlboheni

13 Kurse neve na duhet ta falënderojmë gjithmonë Hyjin për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, sepse Hyji ju zgjodhi që prejfillimit për shëlbimin që fitohet me anë të veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt dhe të fesë së vërtetë, 14 në të cilën ju grishi me anë të Ungjillit tonë ‑ që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

15 Prandaj, o vëllezër, jini të qëndrueshëm dhe mbajini porositë që i morët prej nesh qoftë me anë të fjalës qoftë me anë të Letrës sonë.

16 Dhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, 17 Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.

2 e Selanikasve: 3. Lutuni për ne

3

1 Pastaj, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet si ndër ju 2 dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë e të këqij; sepse të gjithë nuk kanë fe!

3 Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i Keqi.

4 Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t’i zbatoni. 5 Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit!

Qortim lidhur me papunësinë

6 Juve, o vëllezër, ju urdhërojmë në Emër të Jezu Krishtit Zot, të rrini larg nga çdo vëlla që jeton në përtaci, jo sipas porosisë që morët prej nesh. 7 Sepse ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: 8 bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. 9 Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull ‑ që të na përngjani. 10 Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!” 11 Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. 12 Të tillëve u urdhërojmë dhe u bëjmë be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë!

13 Dhe ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira! 14 Në qoftë se ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni dhe mos u shoqëroni me të që të turpërohet, 15 por mos e mbani për armik dhe këshillojeni si vëlla.

Bekimi

16 Dhe vetë Zoti që jep paqen, gjithmonë dhe në çdo mënyrë jua dhëntë paqen. Zoti qoftë me ju të gjithë!

17 Përshëndetje me dorën time ‑ të Palit.

Kështu shënoj çdo letër: unë kështu shkruaj.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!