Predikuesi: 1. Hyrje

1

1 Fjalët e Kishtarit, të birit të Davidit,

mbretit të Jerusalemit.

2 Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari,

kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

3 Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës

që bën nën diell?

PJESA I

Parathënie

4 Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen,

kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta.

5 Dielli lind, dielli perëndon

e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet

nga prapë lind!

6 Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim,

fryn duke u endur gjithkah në lëvizje

dhe kthehet në vorbullat e veta.

7 Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet,

dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen

në rrjedhën e vet.

8 Gjithçka është e mërzitshme

dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë pse-në.

S’ngihet syri me të parë

as s’mbushet veshi me të dëgjuar.

9 Çka qe

është tani e do të jetë pastaj.

Çka ka qenë bërë

është tani e do të bëhet pastaj:

10 s’ka asgjë të re nën diell!

Nëse thuhet për një gjësend: “Ja, kjo është e re!”,

‑ ajo ishte shekuj me radhë para nesh!

11 S’ka kujtim për kohët e shkuara,

po gjithashtu s’do të ketë kujtim

as për gjërat që do të vijnë

tek ata që do të jenë pas tyre.

 

1. Jeta e Salomonit

12 Unë, Kishtari, isha mbret i Izraelit në Jerusalem,

13 dhe vendosa në shpirtin tim të kërkoj me anë të urtisë e të shqyrtoj gjithçka ndodh nën diell. Oh po, është kjo një detyrë tepër e mërzitshme që Hyji ua dha bijve të njerëzve që të merren me të! 14 I pashë të gjitha që ndodhin nën diell: dhe, ja, të gjitha janë kotësi e mundim i kotë!

15 Çka është e shtrembër, e drejtë nuk ka si të bëhet,

dhe çka s’është, s’ka si të numërohet!

16 Atëherë i thashë vetvetes: “Ja, unë ia dola ta madhëroj e ta bëj të përparojë urtia më tepër se të gjithë ata që kanë qenë para meje në Jerusalem”. 17 Atëherë u dhashë me ngulm për ta njohur urtinë e dijen, çmendurinë dhe marrëzirën, dhe gjeta se edhe në këtë gjë është mund i kotë i shpirtit, sepse:

18 në shumë urti ka shumë vuajtje

e kush e shton dijen, shton edhe dhimbjet.

Predikuesi: 2. Për qeshje thashë: “Trashamani!”

2

1 Atëherë i thashë vetvetes: “Dua të bëj t’i sprovosh gëzimet: dëfrehu!”. Por, ja, edhe kjo gjithashtu kotësi.

2 Për qeshje thashë: “Trashamani!”,

e për gëzime: “Çfarë përfitimi”?

3 Atëherë vendosa në mendjen time ta kënaq trupin tim me verë, kurse zemrën time t’ia kushtoj urtësisë;

vendosa të jepem pas marrisë të shoh se ç’përfitim u sjell bijve të Adamit çka bëjnë nën diell në ditët e paka të jetës së tyre.

4 Atëherë ndërmora të bëj vepra të mëdha: ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta;

5 bëra kopshte e pemishte dhe mbolla në to pemë frutore të çdo lloji, 6 ndërtova liqene uji për të ujitur të mbjellat.

7 Bleva skllevër e skllave, pata edhe shërbëtorë shtëpiakë, pata bagëti të trasha e grigja bagëtish të imëta të mëdha më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem.

8 Grumbullova gjithashtu edhe argjend e ar,

pasurinë e mbretërve e të krahinave,

mblodha edhe këngëtarë e këngëtare dhe kënaqa për bijtë

e njerëzve.

gota e enë shërbimi për të dikuar verë.

9 U bëra i madh aq sa i tejkalova të gjithë ata që kishin qenë para meje në Jerusalem e ndërkaq urtia nuk u nda prej meje.

10 Pastaj asgjë prej atyre që dëshironin sytë e mi nuk ua mohova. Nuk i ndalova zemrës sime asnjë kënaqësi dhe zemra ime gëzoi veprat e mundit tim: ishte kjo shpërblimi i të gjithë veprimtarisë sime.

11 Atëherë u solla e i vrojtova të gjitha veprat e mia, gjithçka prodhuan duart e mia, të gjithë mundin në të cilin e kisha derdhur djersën time

dhe ja, gjithçka - kotësi e mundim i kotë dhe s’ka farë dobie nën diell!

12 U solla pastaj ta rrah mendjen lidhur me urtinë, marrëzirën dhe çmendurinë dhe e pyeta veten: “Çfarë do të bëjë pasardhësi i mbretit? Atë që është bërë më parë”!

13 E pashë se urtia aq më shumë ka përparësi se marria, sa ka drita më tepër se errësira.

14 I urti i ka sytë në ballë,

kurse i marri ecën në errësirë.

Por e di edhe se të dy do të kenë po të njëjtin fat!

15 Atëherë i thashë vetes:

“Nëse të njëjtin fat do të kemi i marri dhe unë, atëherë ç’dobi që u përpoqa shumë rreth urtisë”? Përblova me mendjen time e hetova se edhe kjo është kotësi.

16 Sepse s’ka përkujtim të përhershëm as për të urtin as për të marrin, ditët e ardhshme do t’i mbulojnë të gjitha me harresë: vdes i dituri sikurse i padituri!

17 Këndej edhe më çon të vjellët jeta ime, sepse e gjej të keqe gjithçka bëhet nën diell:

gjithçka është kotësi dhe mundim i kotë!

18 Urrej të gjithë punën që e kam bërë nën diell, të cilën do t’ia lë trashëgim atij që do të vijë pas meje. 19 Kush mund ta dijë a do të jetë i urtë apo i marrë? E, pra, ai do të zotërojë me tërë mundimin tim e djersën time që e bëra nën diell. Po a s’është edhe kjo kotësi?!

20 Dhe erdha dhe e bora vullnetin për të gjithë mundin që e hoqa nën diell.

21 E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi dhe e keqe e madhe!

22 Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? 23 Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi!

24 S’ka për njeriun tjetër të mirë përveç të hajë, të pijë e t’i gëzojë të mirat e punës së vet. Dhe shoh se kjo gjë është dhuratë e Hyjit. 25 E kush njëmend do të mund të hajë e t’i gëzojë të mirat pa Të? 26 Sepse Ai ia jep njeriut, që është i mirë para syve të tij, urtinë, dijen e gëzimin, kurse mëkatarit ia vë për detyrë ta bashkojë e ta mbledhë dhe t’ia japë atij që i pëlqen Hyjit. Por edhe kjo është kotësi e mundim i kotë!

Predikuesi: 3. Gjithçka e ka kohën e vet

3

1 Gjithçka e ka kohën e vet

edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet:

2 kohë për të lindur e kohë për të vdekur,

kohë për të mbjellë e kohë për shkulur çka u mboll,

3 kohë për të vrarë e kohë për të shëruar,

kohë për të ndërtuar e kohë për të shkatërruar,

4 kohë për të qarë e kohë për të qeshur,

kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer,

5 kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur,

kohë për t’u përqafuar e kohë për të mos u përqafuar,

6 kohë për të kërkuar e kohë për të humbur,

kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej,

7 kohë për të qepur e kohë për të shqepur,

kohë për të heshtuar e kohë për të folur,

8 kohë për të dashur e kohë për të urryer,

kohë për të luftuar e kohë e paqes.

9 Ç’fitim ka ai që punon prej mundit të vet?

10 E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer. 11 Gjithçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e gjërave të krijuara, megjithatë njeriu s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim. 12 Kuptova se asgjë s’është më mirë për njeriun se të gëzohet e të bëjë mirë gjatë jetës së vet. 13 Pastaj, çdo njeri që ha e pi dhe i gëzon të mirat e mundit të vet edhe kjo është dhuratë e Hyjit.

14 E kuptoj se të gjitha gjërat që i krijoi Hyji do të qëndrojnë për amshim: ne nuk jemi në gjendje as t’u shtojmë as t’u mungojmë gjë: të gjitha Hyji i krijoi që ta kenë njerëzit frikën e tij.

15 Është tani çka ka qenë edhe më parë, çka do të jetë, ka qenë edhe më përpara: Hyji kërkon çka ka kaluar.

16 Por unë vura re nën diell edhe këtë: se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka padrejtësi. 17 Atëherë thashë në zemrën time: “Hyji do t’i gjykojë të drejtin e keqbërësin, sepse është koha për çdo gjë e për çdo veprimtari”.

18 Pastaj lidhur me bijtë e njeriut thashë vete me vete: Hyji do t’i vërë në provë e do të dëftojë se ata prej vetvetes janë si bagëtia. 19 E vërtet fati i bijve të Adamit e të kafshëve është po i njëjti: siç vdes njeriu vdesin edhe ato. Kanë po të njëjtën frymë jetësore: njeriu s’ka asgjë më tepër se bagëtia, sepse gjithçka është kotësi. 20 Gjithçka udhëton drejt të njëjtit vend:

gjithçka vjen prej dheut

e gjithçka njësoj kthehet në dhe.

21 Kush e di se fryma jetësore e bijve të Adamit ngjitet lart e fryma jetësore e bagëtive zbret poshtë në dhe?

22 Këndej edhe e mora me mend se s’ka gjë më të mirë për njeriun se ta gëzojë mundin e vet, sepse kjo është fati i tij. E njëmend kush mund t’ia dalë ta bëjë të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?

Predikuesi: 4. Shoqëria

4

1 U solla pastaj në anë tjetër e pashë tëgjitha dhunat që bëhen nën diell: dhe ja, lotët e të nëpërkëmburve e asnjë ngushëllues! Nga ana e dhunuesve dhunë pa asnjë ngushëllues!

2 Atëherë i shpalla më të lumë të vdekurit që kishin vdekur kaherë se të gjallët që ende rrojnë, 3 madje më të lumë se të dy e çansova atë që ende s’ka lindur, që ende nuk i ka parë të këqijat që bëhen nën diell!

4 Përsëri u vura të shqyrtoj çdo veprimtari dhe çdo sukses në veprimtari e pashë se edhe këtu është smirë e njërit kundër tjetrit. Edhe kjo gjë pra, është kotësi dhe mihje në ujë!

5 I marri i kryqëzon duart e veta

dhe ha vetveten!

6 Më mirë është një dorë me pushim se të dy grushtat plot, por me mund të madh e me mihje në ujë.

7 Vura re gjithashtu edhe një kotësi nën diell:

8 shikoj një njeri krejtësisht të vetëm: s’ka djalë, s’ka vëlla e, megjithatë, nuk pushon kurrë nga puna dhe sytë e tij kurrë nuk ngihen me pasuri dhe as s’i jepet të mendojë: “Për kë po punoj e po ia mohoj vetvetes të mirat”? Edhe kjo është një kotësi dhe një kujdesim i keq shumë!

9 Më mirë janë dy së bashku se njëri vetëm: sepse më mirë paguhen për punën e vet, 10 sepse, kur rrëzohet njëri, e ngre tjetri. Mjerë i vetmi! Kur të rrëzohet s’do të ketë kush ta çojë!

11 Po ashtu edhe në fjetshin dy s’bashku do ta ngrohin njëri‑tjetrin. Një i vetëm si do të mund të nxehet? 12 Po edhe nëse ndokush do ta sulmojë njërin, të dy së bashku do të mund t’i qëndrojnë. Litari i trefishtë nuk këputet lehtë!

13 Më i mirë është djaloshi skamnor e i urtë se mbreti i moçëm e i marrë

që s’lejon më të këshillohet.

14 Djaloshi mund të dalë prej burgut e të bëhet mbret megjithëse ka lindur në mbretërinë e tij skamnor, 15 dhe i pashë se si të gjithë që jetojnë e ecin nën diell i mbështeten djaloshit, pasardhësit të atij që e trashëgon. 16 Ishte një numër i pakufi i popullit të cilit ai i printe, porse breznitë e mëvonshme nuk do të kenë pse të gëzohen për shkak të tij.

Edhe kjo është kotësi dhe mihje në ujë.

17 Kur të shkosh në Shtëpinë e Hyjit ki kujdes hapat e tu. Afrohu që të mund të dëgjosh, sepse kjo vlen më shumë se flia e të marrëve: vërtet është më e mirë dëgjesa se flitë e të marrëve që nuk dinë se bëjnë keq.

Predikuesi: 5. Paraja

5

1 Mos fol gjë me guxim të tepruar dhe zemra jote të mos jetë e shpejtë për të thënë fjalë para Hyjit, sepse Hyji është në qiell e ti je në tokë: prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.

2 Pas kujdeseve të shumta vijnë ëndrrat

e në fjalë të shumta gjendet marria.

3 Nëse ia ke bërë Hyjit ndonjë kusht mos vono t’ia kryesh: sepse Atij nuk i pëlqen premtimi i marrë, prandaj çkado që të kesh kushtuar, kryeje!

4 Është shumë më mirë të mos kushtosh asgjë se, pasi të jesh kushtuar, të mos e çosh në vend çka je zotuar.

5 Mos e lejo gojën tënde të të bëjë të mëkatosh dhe ruaj se thua përpara engjëllit: “E bëra nga pavëmendja!”, që Hyji të mos ketë arsye të hidhërohet kundër veprës së duarve të tua për shkak të fjalëve të tua e t’i shkatërrojë veprat e tua.

6 Prej shumë ëndrrave vijnë shumë zhgënjime e shumë fjalë: ti veç druaje Hyjin!

7 Nëse sheh se shkelen skamnorët, se shpërdorohen gjyqet e drejtësia në vend, mos u çudit për këtë punë, sepse mbi të madhin përgjon një edhe më i madh e pastaj edhe mbi të mëdhenjtë përgjojnë edhe më të mëdhenjtë; 8 kurse e mira e vendit është mbreti që kujdeset mbi gjithçka për punimin e tokave.

Paraja

9 Kush e do paranë me para s’do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, asfarë përfitimi s’do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi. 10 Sepse, ku ka shumë pasuri, shumë janë edhe nga ata që e hanë gati, e atëherë ç’dobi tjetër ka pronari përveç se i shikon me sy?

11 Për punëtorin është i këndshëm gjumi

si në hëngërt pak si në hëngërt shumë;

kurse ngopja e të pasurit,

pasanikun nuk e lë të flejë.

12 Është edhe një lëngatë shumë e keqe që e pashë nën diell:

pasuria e ruajtur për të keqen e të zot. 13 Me një ndërmarrje të gabuar pasuria e tillë mbaron e djali që i lind të zot do jetojë në skamje të madhe. 14 Sikurse nga barku i s’ëmës lindi lakuriq, po ashtu lakuriq do të shkojë sikurse edhe erdhi, dhe asgjë s’do të marrë me vete prej mundit të vet. 15 Vërtet mjerim për t’u vajtuar: Si erdhi ashtu edhe shkon! Ç’përfitim ka që ka punuar? Si të kishte mihur në ujë!

16 Të gjitha ditët e jetës së vet i hëngri në errësirë, në kujdesime të mëdha, në shqetësime e në trishtim!

17 Ja, ç’mendoj unë se është e mirë dhe e bukur: të hajë, të pijë e ta gëzojë me gëzim djersën e mundit të vet që iu desh ta bëjë gjatë jetës së vet nën diell që ia dhuroi Hyji, sepse vetëm kaq është fati i tij. 18 Kështu edhe çdo njeri, të cilit Hyji i dhuroi pasuri e kamje, ka të drejtë të plotë të hajë prej saj e të marrë pjesën e vet e ta gëzojë mundin e vet: edhe kjo është dhuratë e Hyjit.

19 Ai në të vërtetë s’do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet, sepse Hyji i jep kënaqësinë të gëzohet me gjithë zemër.

Predikuesi: 6. “I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë

6

1 Por është edhe një e keqe tjetër që unë e pashë nën diell, e madje kjo edhe shumë i rëndon njerëzit: 2 është ai tip njeriu, të cilit Hyji i dha kamje e pasuri e ndersa që asgjë nuk i mungon prej të gjitha që mund t’i dëshirojë zemra, por Hyji nuk ia jep mundësinë që të hajë prej saj e do t’i përlugtojë të gjitha këto të mira një njeri i huaj: kjo është një kotësi dhe një mjerim i keq!

3 Pastaj: nëse dikush i ka njëqind fëmijë, nëse edhe jeton shumë vjet e nëse ditët e jetës së tij janë të shumta, por nëse nuk i gëzon të mirat e veta aq sa s’ka as varr për t’u kondisur, për të tillin unë pohoj: dështaku është më i mirë se ai! 4 Sepse kot lindi e shkoi në errësirë dhe edhe errësira do ta mbulojë emrin e tij. 5 Nuk e pa diellin, s’pa asgjë, e prapë më i madh është pushimi i këtij se i atij! 6 Po edhe sikur ai të jetonte edhe dy mijë vjet, por në mos i gëzoftë të mirat e veta, a thua s’do të shkojnë të gjithë në të njëjtin vend!

7 “I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë

e prapë shpirti i tij nuk ngihet.”

8 Çka ka më shumë i urti se i marri? Çka ka skamnori që di të sillet mirë ndaj të gjallëve? 9 ”Më mirë është të shikohet me sy se sa të endet me dëshira”. Por edhe kjo është kotësi dhe mund i kotë. 10 Gjithçka është e ka emrin e vet prej kohësh. Dihet edhe se kush është njeriu dhe se s’është i zoti të paditet me atë që është më i fortë se ai.

11 Ku ka fjalë shumë, shumohet edhe kotësia. E ç’dobi ka atëherë njeriu? 12 Kush e di çka është e mirë për njeriun në jetën e tij, në ditët e pakta të jetës së kotë të tij që i kalojnë porsi hija? Kush mund t’i tregojë njeriut çka do të jetë pas tij nën diell?

Predikuesi: 7. Hyrje

7

1 Më i mirë është zëri i mirë se erërat e çmueshme,

dhe dita e vdekjes se dita e lindjes .

2 Më mirë është të shkohet në shtëpi ku është vajtimi

se në shtëpinë e gostisë:

sepse atje është fundi i çdo njeriu

dhe i gjalli le ta ketë gjithherë para sysh.

3 Më i mirë është trishtimi se të qeshurit,

sepse në fytyrën e trishtuar zemra mund të jetë e lume.

4 Zemra e të urtëve është në shtëpinë e vajtimit,

kurse zemra e të marrëve në shtëpinë e gëzimit.

5 Më mirë është të qortojë i urti

se të gëzohesh nga kënga e të marrëve,

6 sepse porsi krizma e ashklave që digjen nën kusi

është qeshja e të marrit,

sepse edhe kjo është kotësi

7 që shtypja edhe të mençurin e bën të marrë

dhe dhuratat e çmendin zemrën e njeriut.

Shpagimi për vepra

8 “Më i mirë është mbarimi i punës se fillimi, më i mirë është i durueshmi se dhunëtari”.

9 Mos ji i shpejtë për t’u zemëruar sepse zemërimi banon në gji të të marrit.

10 Mos thuaj: “Ç’të thotë mendja cili është shkaku që kohët e mëparshme kanë qenë më të mira se ç’janë tani?”, sepse nuk pyet kështu pse je i urtë.

11 E mirë është urtia bashkë me pasuri dhe u vlen atyre që e shohin diellin.

12 Siç mbron urtia ashtu mbron edhe paraja; e përparësia e urtisë qëndron në këtë se e shpëton pronarin e vet.

13 Vëzhgoj veprat e Hyjit: askush s’mund ta ndreqë atë që ai e ka bërë të shtrembër.

14 Në ditë të mirë gëzoj të mirat, kurse në ditë të keqe mendo: Hyji e ka krijuar si njërën ashtu edhe tjetrën që njeriu të mos zbulojë asgjë në lidhje me të ardhmen.

15 Gjithçka pashë në këtë jetën e kotësisë sime:

i drejti humbet megjithëse i drejtë,

jeton gjatë i mbrapshti edhe pse i mbrapshtë.

16 Mos ji tepër i drejtë,

as i mençur më tepër se duhet!

Pse ta vrasësh vetveten?

17 Mos bëj tepër keq

dhe mos ji i patenzonë!

Përse do të vdesësh para kohës?

18 Mirë është ta mbash njërën, por as prej tjetrës mos e hiq dorën, sepse ai që e dron Hyjin i del mbarë në të gjitha këto.

19 Urtia e bën të urtin më të fortë se dhjetë prijës të fortesës. 20 Nuk ka mbi tokë njeri të drejtë që, duke bërë mirë, kurrë të mos mëkatojë.

21 Por edhe kaq: mos u vër vesh të gjitha fjalëve që fliten, se ndoshta dëgjon edhe se të ka nëmur edhe shërbëtori yt, 22 sepse e di edhe ndërgjegjja jote se edhe ti sa herë i ke mallkuar të tjerët.

23 Të gjitha këto i kam shqyrtuar me urti e kam arritur në këtë përfundim: “Dua të bëhem i urtë!”, 24 por urtia po rri larg meje edhe më shumë. Çka ka qenë është larg e thellësia është e madhe! Kush do të mund ta gjejë atë?

25 U përvesha edhe një herë me gjithë shpirt për të njohur gjithçka, për ta shqyrtuar e kërkuar urtinë e psehin, për të njohur se paudhësia është marrëzirë, gabim dhe paurtësi.

26 Gjej se më e hidhur se vdekja është gruaja: është lak gjuetarësh, zemra e saj është rrjetë e duart e saja zinxhirë. Kush i pëlqen Hyjit i ikën asaj, kurse mëkatari zihet prej saj.

27 Ja, pra, çfarë gjeta, thotë Kishtari,

duke peshuar një nga një të gjitha gjërat

për t’ua gjetur psehin.

28 Çka ende kërkoj e s’mund ta gjej është kjo:

Ndër një mijë gjeta vetëm një burrë,

por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta.

29 Ja, hetova vetëm kaq:

Hyji e krijoi njeriun të drejtë,

por janë njerëzit që kërkojnë arsyetime të pakufishme.

Predikuesi: 8. Kush është si i urti?

8

1 Kush është si i urti?

E kush di t’i shqyrtojë gjërat?

Urtia e njeriut e ndriçon fytyrën e tij

dhe ia shndërron vrazhdësinë e fytyrës së tij.

2 Zbatoji urdhrat e mbretit e për arsye të përbetimit të Hyjit, 3 mos u ngut të largohesh prej pranisë së tij dhe mos qëndro me kokëfortësi në të keqe, sepse ai do të bëjë gjithçka do.

4 Sepse fjala e tij është fuqiplote dhe askush s’mund t’i thotë: “Pse po vepron kështu?”

5 Kush e zbaton urdhrin, s’do të provojë asnjë të keqe, i urti e di kohën dhe gjyqin. 6 E njëmend çdo gjë ka kohën e gjyqin e vet dhe e keqja e njeriut bie rëndë mbi atë që e bën, 7 sepse ky nuk di se çka do të ndodhë e njëmend si do të jetë e ardhmja, kush mund t’i dëftojë? 8 Sepse nuk është në pushtetin e njeriut fryma jetësore dhe ai s’është i zoti ta ndalë të mos i dalë shpirti, nuk ka pushtet mbi ditën e vdekjes e s’është e mundur t’i iket luftimit; paudhësia nuk e shpëton të paudhin.

9 Të gjitha këto i shqyrtova dhe e vrava mendjen time lidhur me gjithçka bëhet nën diell ku njeriu zotëron me njeriun në dëmin e vet. 10 Ndërkaq pashë të patenzonë duke i varrosur; njerëzit dilnin nga vendi i shenjtë dhe harroheshin në qytet se kishin vepruar kështu: por edhe kjo është kotësi. 11 E, pasi nuk jepet menjëherë vendimi gjykatës kundër veprave të këqia, këndej edhe zemra e njerëzve mbushet me ligësi. 12 Edhe mëkatari që bën keq edhe njëqind herë jeton gjatë. Porse, prapëseprapë e kam vrojtuar se do të jenë mirë ata që e druan Hyjin, që e kanë frikë fytyrën e tij, 13 kurse nuk do të jetë mirë i patenzoni dhe s’do t’i zgjasë, si hijen, ditët e veta ai që nuk e ka frikë fytyrën e Hyjit.

14 Por është edhe një kotësi që ndodh mbi tokë: ka të drejtë që u ndodhin të këqija si të kishin qenë të paudhë, por ndodh edhe që ka të paudhë që u prihet mbarë sikurse veprat e tyre të ishin të mira: edhe kjo është punë shumë boshe sipas gjykimit tim.

15 Prandaj unë e përfill harenë se s’ka për njeriun tjetër të mirë nën diell, por të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo gjë le ta përcjellë në mundin e tij gjatë jetës së tij që ia dhuroi Hyji nën diell.

16 Kur u vura me tërë kujdesin për ta njohur urtinë e për ta kuptuar mundin që derdhet mbi tokë ‑ pa u dhënë gjumë syve as ditë as natë ‑ 17 dhe ja, e vëzhgova të gjithë veprën e Hyjit e pashë se s’ka njeri që mund ta zbulojë psehin e gjërave që ndodhin nën diell. Madje, sa më fort të mundohet njeriu duke shqyrtuar, aq më pak do të mund të zbulojë; po edhe nëse thotë ndonjë i ditur se e di, askush s’mund ta zbulojë psehin.

Predikuesi: 9. Fati

9

1 E njëmend, përsiata mbi të gjitha këto e hetova se si të drejtët e të urtët dhe veprat e tyre janë në dorë të Hyjit.

Njeriu nuk e njeh as dashurinë as urrejtjen: para tij gjithçka është kotësi.

2 Të gjithë kanë po të njëjtin fat:

i drejti e keqbërësi,

i miri e i ligu,

i pastërti e i papastërti,

ai që flijon e ai që nuk flijon.

Si i miri ashtu edhe mëkatari,

si ai që përbetohet ashtu edhe ai që trembet të përbetohet.

3 Kjo është e keqja më e madhe ndër të këqijat që ndodhin nën diell: për gjithkënd është po i njëjti fat. Këndej edhe zemrat e bijve të Adamit janë plot me keqbërësi dhe me marrëzirë në jetën e tyre e pastaj... fundi i fundit ndër të vdekur. 4 Por për atë që është në shoqëri me të gjallët, ka shpresë:

Më i mirë është qeni i gjallë se luani i cofur. 5 Sepse të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë më asgjë dhe s’do të kenë më asfarë shpërblimi, pasi kujtimin e tyre e mbulon harresa. 6 Po ashtu edhe dashuria e tyre, urrejtja dhe smira të gjitha së bashku morën fund e më nuk bëjnë pjesë në këtë shekull as në veprimtarinë që bëhet nën diell.

7 Shko, pra, e haje me hare bukën tënde,

pije me gëzim verën tënde,

sepse Hyji tashmë i ka pëlqyer veprat e tua.

8 Në çdo kohë petkat e tua le të jenë të bardha

dhe kokës sate mos ia mungo vajërat erëmirë.

9 Gëzohu në jetë me gruan që e do në të gjitha ditët e jetës sate të paqëndrueshme që të janë dhuruar nën diell gjatë tërë kohës së jetës sate të zbrazët: sepse ky është fati që të takon në jetën tënde e në mundin që bën nën diell.

10 Gjithçka të jesh në gjendje të bësh, bëje sa më parë, sepse atje në Dhe të zi, ku do të shkosh, s’ka as veprimtari as arsye as urti as dije.

11 Vëzhgova e pashë nën diell edhe këtë:

s’e fitojnë vrapimin të shpejtët,

as të fortët luftën,

as të urtët bukën,

as të diturit pasurinë,

as të maturit përkrahjen,

por gjithçka sjell koha e rasti.

12 E njëmend, njeriu nuk e di mbarimin e vet, por si peshqit që bien në rrjetën ugurzezë dhe porsi shpendët që zihen në lak, kështu edhe njerëzit bëhen pre e fatkeqësisë që u vjen papritmas.

Urtia e marria

13 E kam parë nën diell edhe këtë gjë në lidhje me urtinë dhe e mbaj për të rëndësishme të përsiatet:

14 ishte një qytet i vogël e pak njerëz kishte në të: e sulmoi një mbret i fortë, e rrethoi dhe ndërtoi rreth tij kulla luftimi të forta. 15 Por u gjet në qytet një njeri i varfër, por i urtë dhe, në saje të urtisë së vet, e shpëtoi qytetin: më vonë askujt s’i ra ndër mend për atë njeri skamnor! 16 E unë them:

Më e mirë është urtia se fuqia,

por urtia e skamnorit përbuzet,

fjalët e tija nuk dëgjohen.

17 Fjalët e buta të të urtëve dëgjohen

shumë më tepër se britma e prijësit ndër të marrë.

18 Më e mirë është urtia se armët e luftës;

por një mëkatar i vetëm humb të mira të mëdha.

Predikuesi: 10. Pashë skllevërit duke kalëruar

10

1 Disa miza të cofura e prishin vajin e erëbërësit, një marrëzirë e vogël peshon më rëndë se urtia e nderi.

2 Mendja e të urtit çan drejt,

kurse e të marrit merr udhën e mbrapshtë.

3 Por i marri edhe nëse ecën udhës, pasi nuk ka mend, të gjithë i mban për të marrë.

4 Nëse i ndizet zemërimi ndonjë të madhi kundër teje, mos e lësho vendin tënd, sepse butësia bën të pushojnë edhe mëkatet e mëdha.

5 Është një e keqe që e kam parë nën diell, një gabim që rrjedh prej sundimtarit:

6 i marri vihet në vendet më të larta të drejtimit, kurse të aftët rrinë poshtë e më poshtë.

7 Pashë skllevërit duke kalëruar

e bujarët duke ecur tokës këmbë si skllevërit.

8 Kush hap gropën, në të do të bjerë,

e kush rrënon murin, do ta hajë shlligëza.

9 Kush then gurë, vritet prej tyre,

e kush çan dru, rrezikohet prej tyre.

10 Kur tupitet hekuri e nëse nuk ia mpreh tehun,

mundi shtohet:

përparësia e urtisë qëndron në sukses.

11 Nëse të ha gjarpri para se të jetë shituar, s’ke pse e thërret shituesin.

12 Janë të këndshme fjalët e gojës së të urtit,

kurse të marrin e dëmtojnë buzët e tija.

13 Fjalët e para të tijat janë marrëzirë

e fjalët e fundit çmenduri e tmerrshme.

14 I marri i shumon fjalët: “Njeriu nuk di se çfarë do të ndodhë; s’e di as se çka do të ndodhë pas tij, kush mund t’i dëftojë”?

15 Të marrët i mbyt mundi i vet;

kush s’e di rrugën, s’mbërrin në qytet.

16 Vaj për ty, o tokë, që e ke mbretin fëmijë, se ministrat e tij gostiten që në mëngjes!

17 E lumja ti, o tokë, që e ke mbretin bujar,

princat e tij hanë në kohën e caktuar

për t’u përtërirë në fuqi e jo për zdërhallje.

18 Përtacit i bie pullazi,

të pakujdesshmit i pikon shtëpia.

19 Për gëzime bëhen gostitë;

vera i jep hare jetës,

paraja sjell gjithçka.

20 Mos fol keq për mbretin as me mend

dhe as në dhomë të fshehtë mos e mallko pasanikun,

sepse edhe shpendët e ajrit do ta mbartin zërin tënd

edhe kafsha me pupla do të shpjerë ç’u tha.

Predikuesi: 11. Pleqëria

11

1 Hidhe bukën tënde mbi valët e ujit e pas shumë kohe do ta gjesh.

2 Jepu pjesë shtatë vetëve, madje edhe tetëve, sepse nuk e di se ç’e keqe mund të ndodhë mbi tokë.

3 Kur retë mbushen plot

shiun e lëshojnë mbi tokë;

po nëse bie ndonjë dru qoftë në jug qoftë në veri,

kudo që të bjerë, aty edhe mbetet.

4 Kush i vë vesh erës, nuk mbjell,

dhe ai që i vështron retë, nuk do të korrë.

5 Sikurse s’ia di udhën erës dhe si trajtohen eshtrat në kraharorin e gruas shtatzënë, ashtu nuk i di as veprat e Hyjit që është Krijuesi i të gjithave.

6 Në mëngjes mbille farën

e në mbrëmje të mos pushojë dora jote,

sepse nuk e di cila do të vlejë më tepër

kjo apo ajo

ose të dyja do të jenë njësoj të mira.

Pleqëria

7 E ëmbël është drita

dhe e këndshme është për sy ta shohin diellin.

8 Po edhe në qe se njeriu jeton vite të shumta

e edhe nëse me gëzim i kalon të gjitha,

i duhet të kujtojë kohën e errësirës

që do të jetë e gjatë:

gjithçka që ndodh është kotësi.

9 Gëzo, pra, o djalosh, në rininë tënde

dhe galdo në ditët e djalërisë sate,

ec udhëve të zemrës sate

dhe ndiqi dëshirat e syve të tu,

por dije se për të gjitha këto

Hyji do të të gjykojë.

10 Larg kujdeset prej mendjes sate,

flake dhimbjen nga trupi yt:

sepse djalëria e rinia janë të kota.

Predikuesi: 12. Përfundimi

12

1 Kujtoje Krijuesin tënd

në ditët e rinisë sate,

para se të vijë koha e vuajtjeve

e të afrohen ditët për të cilat të thuash:

“Jo, nuk më pëlqejnë më!”;

2 para se të errësohen

dielli e drita e hëna e yjet,

e të kthehen retë pas shiut;

3 kur të përkulen rojëtarët e shtëpisë

e të gërnusen trimat e fortë,

të papunë të mbeten bluesit pse të rralluar,

të errësohen shikuesit nëpër vrima,

4 të mbyllet dera nga jashtë

e bluesit nën zë

e të ngriten zogjtë për të cicëruar

e kur të meje këndimi i këngëve.

5 Atëherë do të tmerrojnë përpjetetë,

frikë do të shtjerë udhëtimi.

Do të lulëzojë bajamja,

zvarrë do të hiqet karkaleci

e do të shkatërrohet kaperi,

sepse njeriu do të fillohet në shtëpinë e amshimit të vet.

Vajtuesit do të enden në sheshe.

6 Para se të këputet litari i argjendtë

e të copëtohet kandili i artë,

të thyhet katrova në krua,

të copëtohet qostra përmbi cisternë

7 e të kthehet pluhuri në tokën e vet nga erdhi

e shpirti të kthehet tek Hyji që e dha.

8 Kotësi kotësish,

‑ thotë Kishtari ‑

e gjithçka kotësi.

Përfundimi

9 Meqenëse ishte shumë i urtë, Kishtari për më tepër popullit i mësoi dijen; ai peshoi, shqyrtoi dhe përftoi shumë fjalë të urta. 10 Kishtari u kujdesua të gjejë thënie të përshtatshme dhe shkroi me përpikëri fjalë të vërteta. 11 Fjalët e të urtëve janë si hostenë, porsi gozhda të ngulura shkrimtarët e përmbledhjeve: ato u dhanë nga një bari i vetëm. 12 Sa për ato që janë më tepër se kjo, biri im, as mos i kërko: të bëhen shumë libra s’ka asfarë qëllimi e përsiatja e vazhdueshme është mundim i trupit.

13 Përfundimi i bisedimit, pasi u dëgjuan të gjitha:

Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tija; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu.

14 E njëmend, Hyji do t’i qesë në gjyq të gjitha veprat e fshehta qofshin ato të mira ose të këqija.