Libri i Tobisë Pasqyrë e familjes hebreje Emërtimi - Libri e ka marrë emrin sipas personazheve kryesore për të cilët flet: “Libri i Tobitit /emri i babait/ ose Libri i Tobisë” /emri i të birit/. Teksti - Teksti i origjinalit jo vetëm që nuk ka arritur deri te ne, por as te autorët nuk ka një mendim të prerë nëse ka qenë shkruar hebraisht, aramaisht apo greqisht. Tek ne ka arritur vetëm teksti greqisht por edhe ky në tri redaktime të ndryshme. Vulgata e re e merr për përkthim redaktimin S /Sinaitik/ që është më i ruajturi dhe duket më i vjetri nga të tri redaktimet, atë A-aleksandrin dhe B-vatikanas. Vendi në Kanon - Bibla në gjuhën hebraike, pra edhe hebrenjtë, nuk e pranojnë këtë si libër kanonik, po ashtu as nga Kisha e reformuar. Por edhe te katolikët libri ka qenë vënë në dyshim nga shumë biblistë, por çështja mori përfundim definitiv në koncilin e Trentit kur u përfshi ndër librat kanonikë. Përmbajtja - Libri e paraqet historinë e një familjeje hebreje në mërgim. Tobiti /babai/ është njeri besimtar, i përshpirtshëm e shumë dorëdhënë ndaj të gjithë të mjerëve, veçanërisht ndaj bashkëkombësve të vet. Megjithatë, verbohet edhe e ndjekin shumë kryqe në jetë. Po ashtu edhe Sara - vajzë e ndershme, e urtë dhe e mirë, pa faj të vetin pëson nga djalli dhe që natën e parë të martesës i vret rresht shtatë burra. Të dy luten dhe e kërkojnë prej Zotit vdekjen, por nuk dëshpërohen. Zoti u ndihmon me anë të engjëllit Rafael: atë e shpëton nga djalli e Tobitit ia kthen dritën e syve. Gjithçka përfundon mirë. Për lexuesin e sotëm Libri është shumë ndërtues. Autori, njeri i ditur, e mëson dhe e ndërton lexuesin pa e lodhur aspak. Ai ka për qëllim ta vërë përpara njeriun e drejtë i cili e ka si parim të jetës, të jetë plotësisht i ndershëm çfardo që t’i ndodhë në jetë. Udha e vërtetë dhe e vetmja që njeriun e shpie në lumturi është zbatimi i urdhrave të Zotit në të mira e të vështira. Lexuesi që e heton këtë e ka në dorë çelësin e kuptimit të krejt librit. Lexuesi duhet të përmallohet duke e lexuar këtë libër ku në një tregim të jetës së përditshme familjare është ngritur lart besnikëria martesore e jetuar, kuptimi i vërtetë i lëmoshës, nderimi i të vdekurve, shija e lutjes e veçanërisht bujaria e lartë e martesës mes një burri e një gruaje: mendime ungjillore para Ungjillit. Libri i Tobisë mbahet se do të jetë shkruar diku nga shekulli IV - II para Krishtit. 1 1 Libri i veprave të Tobitit, të birit të Tobielit, të birit të Ananielit, të birit të Aduelit, të birit të Gabaelit, të birit të Rafaelit, të birit të Raguelit, nga barku i Asielit, nga fisi i Neftaliut. 2 Në kohën e Salmanasarit, mbretit të Asirisë, qe humbur në mërgim nga Tisbja, që është në pjesën e djathtë të Kadesit të Neftaliut, në Galilenë e Epërme, përmbi Asor, ku përendon dielli, në anën e majtë të Fogorit. I. I HUMBURI 3 Unë Tobiti i kaloja ditët e mia duke ecur udhëve të së vërtetës dhe të drejtësisë. U kam dhënë shumë lëmoshë vëllezërve të mi dhe bashkatdhetarëve të mi që kanë qenë të humbur bashkë me mua në robëri në Ninivë, në dheun e asirëve. 4 Kur ende isha në dheun tim, në tokën e Izraelit, e isha ende i ri, mbarë fisi i Neftaliut, i të parëve të mi, u nda nga shtëpia e Davidit, atit tim, e nga Jerusalemi, qyteti i vetëm i zgjedhur nga të gjitha fiset e Izraelit. Atje ishte vendi i caktuar për fli, ishte ndërtuar Tempulli ku banon Hyji. Atje ishte ndërtuar dhe i ishte kushtuar flijimit të të gjitha fiseve të Izraelit për sa të jetë jeta e jetës. 5 Të gjithë vëllezërit e mi e shtëpia e Neftaliut, babait tim, i flijonte viçit, që e ndërtoi Jeroboami, mbreti i Izraelit, në Dan, në malësitë e Galilesë. 6 Shpesh herë unë shkoja vetëm për festa në Jerusalem për ta zbatuar ligjin e përjetshëm të shkruar për mbarë Izraelin. Me vete merrja frytet e para, të parëlindurit dhe të dhjetat e bagëtive të trasha e të imëta dhe qethjen e parë të deleve e i çoja në Jerusalem, 7 ua jepja priftërinjve, bijve të Aronit, për lter. Levitëve që ishin për shërbesë në Jerusalem ua jepja të dhjetën e grurit, të verës, të vajit, të shegave e të pemëve të tjera. Për gjashtë vjet e shndërroja të dhjetën e dytë në para dhe shkoja e i shpenzoja në Jerusalem çdo vit. 8 E dhjeta e tretë, pastaj, ishte për bonjakë, për vejusha dhe për ardhacakë që jetonin bashkë me izraelitët, ua sillja si dhuratë çdo të tretin vit. I hanim ato sipas Ligjit përkatës për to në Ligjin e Moisiut dhe sipas porosisë që ma kishte dhënë Debora, nëna e tim ati, nëna e Ananielit, babait tonë, sepse baba më pat vdekur e më pat lënë bonjak. 9 Kur u rrita e u bëra burrë, mora për grua Anën, vajzë nga fisi ynë, dhe nga ajo më lindi djali, të cilit ia ngjita emrin Tobi. 10 E pasi qeshë humbur në robëri e erdha ndër asiras, si rob arrita në Ninivë. Të gjithë vëllezërit e mi si edhe bashkëkombësit e mi, hanin ushqime paganësh, 11 kurse unë u ruajta e nuk hëngra. 12 E pasi isha me gjithë zemër besnik i Hyjit tim, 13 i Tejetlarti bëri që të gjej hir e pëlqim para Salmanasarit dhe të bleja për të gjithçka kishte nevojë. 14 Shkoja të tregoja në Medi për të deri sa vdiq. Kështu i lashë thasët me dhjetë talenta argjendi, të m’i ruante Gabaeli, vëllai i Gabrisë, në Rages, në krahinën e Medisë. 15 Kur vdiq Salmanasari e zëvendësoi i biri, Senakeribi. Rrugët e Medisë u mbyllën dhe unë nuk munda të shkoja më atje. 16 Në kohën e Salmanasarit u dhashë shumë lëmoshë vëllezërve të mi që ishin të fisit tim. 17 Bukën time e ndaja me të uriturit, petka u jepja të zhveshurve dhe, kur shihja ndokënd të vdekur, të hedhur pas mureve të Ninives që ishte bashkëkombës i im, e varrosja. 18 E, kur mbreti Senakerib e vriste ndokënd, pasi u kthye duke ikur nga Judeja, në ditët e ndëshkimit që e bëri Mbreti i qiellit pasi kishte bërë blasfemi - vrau shumë izraelitë me zemërimin e vet - unë kuformat e tyre i mbështillja e i varrosja. Senakeribi i kërkoi kufomat e nuk i gjeti. 19 Atëherë shkoi dikush nga ninivasit dhe i tregoi mbretit se unë i varrosja. Unë atëherë u fsheha e, kur e mora vesh se mbreti e dinte për mua dhe se më kërkonin për të më vrarë, u tremba dhe ika. 20 Atëherë ma morën të gjithë pasurinë dhe nuk më shpëtoi asgjë që nuk m’u mor për thesarin e mbretit, përveç Ana, gruaja ime dhe Tobia, djali im. 21 Por nuk patën kaluar dyzet ditë, edhe atë e vranë dy bijtë e tij dhe ikën në malet Ararat. Në vend të tij u bë mbret i biri Asarhadoni. Ky e vuri Ahiaharin, djalin e vëllait tim Anaelit, në krye të thesarit të mbretërisë së tij dhe ishte drejtor i përgjithshëm në mbarë krahinën. 22 Atëherë Ahihari ndër- mjetësoi për mua dhe unë munda të zbres në Ninivë. Ahihari kishte qenë kuptar i madh, rojës i vulës, qeveritar dhe llogaritar i Sena- keribit, mbretit të Asirisë, edhe Asarhadoni ia la po ato funksione. Ishte prej vëllazërisë sime, nipi im. II. I VERBËRI 2 1 Nën mbretin Asarhadon u ktheva në shtëpinë time ku më ishin kthyer edhe Ana, gruaja ime, dhe im bir Tobia. Ditën e Pesëdhjetores, që është e kremtja e Javëve, më qe bërë gati një drekë e mirë dhe u ula të ha. 2 Më ishte shtruar tryeza dhe pashë se kishte gjellëra të shumta. Atëherë i thashë Tobisë, djalit tim: “Dil e, nëse gjen ndonjë skamnor prej vëllezërve tanë që janë robër në Ninivë, por që me gjithë zemër të vet e kujton Zotin, sille këtu e të hajë bashkë me mua. Ja, unë po të pres, biri im, deri të kthehesh.” 3 Tobia shkoi të kërkonte ndonjë skamnor nga vëllezërit tanë, u kthye e më tha: “Atë!” Unë i përgjigja: “Fol, biri im!” Ai vazhdoi: “Është dikush nga populli ynë i vrarë, i varur në litar dhe e kanë hedhur në shesh, edhe taniaty është.” 4 Brofa në këmbë, e lashë pa e prekur bukën, e mora dhe e prura në një dhomë që pasi të perëndonte dielli, ta varrosja. 5 Pasi u ktheva, u lava dhe e hëngra bukën time me vaj. 6 Atëherë më ranë ndër mend fjalët e profetit Amos që i tha në Betel: “Të gjitha festat tuaja do të kthehen në zi, të gjitha këngët tuaja në vajtime.” 7 Dhe qava. Pasi perëndoi dielli shkova, e hapa një varr dhe e varrosa. 8 Të afërmit e mi më përqeshnin e thoshin: “Ende ky njeri s’po u tremka! E pra, për shkak të kësaj gjëje ka qenë kërkuar të vritej, pati ikur dhe, ja, përsëri po i varros të vdekurit!” 9 Po atë natë, u lava e dola në oborr. Rashë të flej përbri murit të oborrit. Fytyrën, për shkak se ishte nxehtë, e lashë të zbuluar. 10 Nuk e dija se trumcakët ishin në mur përmbi mua. Glasat e tyre ende të nxehta më ranë në sy dhe fitova të bardhët e syve. Shkoja te mjekët për t’u shëruar dhe, sa më shumë barna që më vënin aq më tepër të bardhët ma merrte të pamët e syve, deri sa u verbova krejtësisht. Katër vjet mbeta pa dritën e syve. Të gjithë vëllezërit e mi hiqnin keq për këtë me mua. Për dy vjet Ahihari më mbajti me ushqime deri sa shkoi në Elimaidë. 11 Aso kohe gruaja ime Ana punonte me pagë punë grash e përpunonte lesh në tezjahë 12 dhe pastaj ua çonte porositësve e ata e paguanin. Të shtatën ditë të muajit Distër e kreu pëlhurën dhe ua çoi të zotëve. Ata ia dhanë pagën e plotë, dhe përveç pagës së pëlhurës i falën edhe një edh. 13 Kur edhi hyri në shtëpi, nisi të vërrasë. E thirra e i thashë: “Nga është ky kec? A mos është ndoshta i vjedhur? Kthejua të zotëve! Sepse ne nuk guxojmë të hamë gjënë e vjedhur!” 14 Ajo më tha: “Ma dhanë si dhuratë përveç pagesës.” Por unë nuk i besova dhe i thashë ta kthente te të zotët, dhe skuqesha para saj për këtë punë. Ajo atëherë m’u përgjigj: “Ku janë lëmoshat e tua? Ku është drejtësia jote?! Ja, fort bukur po shihen në ty!” 3 1 Me zemër të plasur qaja, dënesja e fillova ta them këtë lutje duke vajtuar: 2 I drejtë je, o Zot, e gjitha veprat e tua janë të drejta. Të gjitha udhët e tua janë hire dhe të vërteta, Ti je Gjykatësi i botës! 3 Por tani, o Zot, le të të bie ndër mend për mua, më shiko. Mos u hakmerr për mëkatet e mia e për moskujdesjet e mia, as për ato të të parëve të mi, me të cilat mëkatuan para teje! 4 Pse nuk i mbajtëm urdhërimet e tua, ti na le në dorë të cubave, në skllavëri e në vdekje; ti na bëre lojë e përrallë e përbuzje për të gjitha kombet ku na shpërndave! 5 E tani të drejta janë gjyqet e tua që më ndëshkon për fajet e mia e për ato të të parëve të mi, sepse s’i mbajtëm urdhërimet e tua, as s’jetuam besnikërisht para teje. 6 Edhe tani bëj me mua si të pëlqen ty, por denjohu e ma merr jetën; më zhduk nga faqja e dheut e, dhe më bëj: për mua është më mirë të vdes se të rroj. Që kur dëgjova prozhmime të rreme dhimbë e madhe më rëndon në shpirt. Jep urdhër, o Zot i lum, të çlirohem nga kjo vështirësi, mos e kthe faqen prej meje: më dërgo në banesë të përhershme! Është më mirë për mua, o Zot, të vdes e të shkoj se të jetoj në gjithë këtë mjerim e t’i dëgjoj të gjitha këto fyerje. III. SARA 7 Po atë ditë ndodhi që edhe Sara, bija e Raguelit, që banonte në Ekbatanë, në Medi, të dëgjonte fyerje nga një shërbëtore e t’et. 8 Sara kishte qenë martuar për shtatë burra me rend të cilës Asmodeu, një djall tejet i keq, ia vriste burrat para se ata të bashkëjetonin me të si burrë e grua. Shërbëtorja i tha: “Ti je ajo që i mbyt burrat e tu! Ja, u martove me shtatë burra dhe asnjërin prej tyre nuk e gëzove. 9 Pse po na rreh për shkak të burrave të tu që kanë vdekur? Shko tek ata dhe kurrë mos pafshim bir as bijë prej teje!” 10 Atë ditë vajza sprovoi dhimbje të madhe në shpirt, ia plasi vajit, u ngjit në dhomën e sipërme të babait të vet e deshi ta varte veten në litar. Por zuri vend e mendoi më thellë: “A mos po bëj ndoshta të shahet im atë e t’i thonë: ‘S’ke pasur veç një vajzë të vetme, për dëshirë, edhe ajo t’u var në litar pse ishte e pafat.’ Kështu do ta çoj në dhe babain tim plak me zemër të plasur. Është më mirë për mua të mos varem, por t’i lutem Zotit të vdes e të mos dëgjoj më në jetën time këso fyerjesh.” 11 Aty për aty ajo i drejtoi duart kah dritarja, u lut e tha: “I bekuar je, o Zot, Hyji i mëshirës, i bekuar është Emri yt i shenjtë për jetë! Të gjitha veprat e tua të bekofshin për amshim! 12 E tani unë po e lartësoj fytyrën time e sytë e mi po i drejtoj te ti: 13 Urdhëro të zhdukem nga toka e më të mos dëgjoj fyerje. 14 Ti e di, o Zot, se jam e pastër: kurrnjë mashkull nuk më ka prekur! 15 S’e çnderova emrin tim as atë të babait tim në dheun e mërgimit tim! Jam e vetmja bijë e babait, trashëgues tjetër ai nuk ka. Nuk ka vëlla as tjetër të afërm, për të cilin unë të ruhem si grua! Deri Tani shtatë burra humba, për se më duhet të jetoj? Nëse s’të pëlqen jetën të ma marrësh, deh, o Zot, kthehu kah unë: të mos dëgjoj më fyerje të tilla!” 16 Po në të njëjtën kohë lutja e të dyve qe vështruar në praninë e Lavdisë së Hyjit 17 dhe qe dërguar engjëlli Rafael për t’i shëruar që të dy: për t’ia hequr Tobitit të bardhët nga sytë që ta shohë dritën e Hyjit, e për t’ia dhënë për grua Sarën, bijën e Raguelit, Tobisë birit të Tobitit, e për ta lidhur djallin tejet të mbrapshtë, Asmodeun, pasi Tobisë ajo i takonte para të gjithëve që deshën ta marrin për grua. Në atë moment u kthye Tobiti nga oborri në shtëpinë e vet, edhe Sara zbriti nga dhoma e sipërme. IV. TOBIA 4 1 Po atë ditë Tobitit i ranë ndër mend paratë që i kishte lënë t’ia ruante Gabaeli në Rages të Medisë. 2 Mendoi me vete: “Unë u luta të më marrë vdekja. Përse të mos e thërras tim bir Tobinë e të mos i tregoj për këto para që i lashë të m’i ruajnë, para se të më vijë vdekja?” 3 E thirri të birin Tobinë. Ai erdhi e ky i tha: “Biri im, kur unë të vdes, më varros si ka hije. Nderoje nënën tënde dhe mos e lër asnjë ditë sa të jetë gjallë. Bëj si t’i pëlqejë asaj dhe me asgjë mos ia prish zemrën. 4 Mos e harro kurrë, biri im, se ajo ka pësuar shumë rreziqe për shkak tënd, kur ti ishe në kraharorin e saj. Kur të vdesë, varrose përbri meje në të njëjtin varr. 5 Çdo ditë, biri im, kije Hyjin në mendje. Mos dëshiro kurrë të mëkatosh e t’u shmangësh urdhërimeve të tija. Bëj vepra të mira çdo ditë të jetës sate dhe ruaju e mos shko udhëve të padrejtësisë, 6 sepse, po bëre të vërtetën, do të shkojë mbarë gjithçka që të veprosh si atyre që vënë në veprim drejtësinë. 7 Biro, prej pasurisë që do ta kesh, bëj lëmoshë dhe mos e mënjano faqen tënde nga asnjë skamnor që as Hyji të mos e mënjanojë faqen e vet prej teje. 8 Bëj lëmoshë sipas pasurisë që do ta keshë, o bir: nëse ke shumë, jep shumë, nëse ke pak, mos u mat, por jep edhe nga ajo pakicë: 9 kështu e bën gati një shpërblim të madh për ditën e ngushticës, 10 sepse lëmosha çliron nga vdekja e nuk lë të shkojmë në errësirë. 11 Lëmosha është dhuratë e vyeshme për të gjithë ata që e bëjnë në praninë e Tejetlartit. 12 Ruaju, biri im, nga çdo fëlliqësirë. Para së gjithash, gruan merre nga fisi i të parëve të tu dhe ruaju e mos e merr nga kombet e tjera e që nuk është nga fisi i të parëve të tu, sepse ne jemi bij profetësh: të parët tanë janë përgjithmonë Noehi, Abrahami, Izaku e Jakobi! Biro, mos harro se të gjithë këta i morën gratë nga rodi i të parëve të vet dhe qenë betuar në fëmijët e vet: se fara e tyre do ta ketë për trashëgim dheun! 13 Duaj, biro, vëllezërit e tu dhe mos të të rritet mendja e t’i nënçmosh bijtë e bijat e popullit tënd, për të mos e marrë gruan prej tyre. Mendja e madhe sjell rrënim dhe pakënaqësi të madhe. Përtacia sjell dëm e mjerim, sepse përtacia është nëna e urisë. 14 Paga e çdo njeriu që të ketë punuar te ti, të mos rrijë assesi te ti, por jepja menjëherë dhe ruaju se ia zvogëlon! Nëse ti i shërben Hyjit, do ta marrësh shpërblimin. Ji i kujdesshëm, biro, në të gjitha veprat e tua dhe i mençur në të gjitha fjalët e tua 15 dhe mos i bëj askujt çka s’dëshiron të të bëhet ty. Mos pi verë e mos u deh dhe pija të mos e shoqërojë jetën tënde! 16 Ndaje bukën tënde me të uriturit dhe veshjen tënde me të zhveshurit. Gjithçka e ke tepër, jepe lëmoshë dhe, kur të bësh lëmoshë, në sytë e tu të mos ketë keqardhje. 17 Ndaje bukën tënde dhe zbraze verën tënde mbi varret e të drejtëve, por jo të mëkatarëve. 18 Kërkoji këshillat e të drejtëve e mos i përbuz këshillat e dobishme. 19 Në çdo kohë bekoje Zotin dhe kërko prej tij t’i drejtojë udhët e tua e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua, sepse urtia nuk u është dhënë të gjitha kombeve, por çdo e mirë vjen prej Zotit: sepse atë që e do ai e ngrit, dhe atë që ai e do e plandos në fundin e banesës së të vdekurve. Tani, o bir, mbaji mend urdhrat e mi dhe mos i shlyej nga zemra jote. 20 E tani, o bir, po të njoftoj se unë i kam lënë për ruajtje dhjetë talenta argjendi te Gabaeli, biri i Gabrisë, në Rages të Medisë. 21 Mos ki frikë, biri im, pse jemi bërë skamnorë. Ke pasuri të madhe nëse e ke frikë Hyjin, nëse i ruhesh çdo mëkati dhe nëse bën atë që është e mirë para syve të Zotit, Hyjit tënd.” V. SHOKU I UDHËTIMIT 5 1 Atëherë Tobia i përgjigjet babait të vet Tobitit: “Gjithçka më ke thënë, o babë, unë do ta bëj. 2 Por veç, si do të bëj për t’i marrë prej tij këto para? As ai nuk më njeh mua, as unë nuk e njoh atë. Çfarë shenje do t’i jap atij që të më njohë e të më besojë e të m’i japë këto para? Pastaj as udhët që çojnë në Medi nuk i di që të shkoj atje.” 3 Atëherë Tobiti iu përgjigj të birit, Tobisë: “Ma ka dhënë një vërtetim të nënshkruar prej tij. Edhe unë ia kam dhënë një tjetër të nënshkruar. E kam ndarë dysh e secili morëm nga një gjysmë dhe gjysmën time e kam lënë me paratë. Dhe ja, tani janë njëzet vjet që kur ato para i lashë për ruajtje tek ai. Por tani, biri im, kërkoje një njeri besnik që të shkojë me ty dhe do ta paguajmë për gjithë kohën deri kur të kthehesh. Shko, pra, deri sa jam gjallë e merri prej tij ato para.” 4 Tobia doli ta kërkonte një njeri që e dinte rrugën për të shkuar me të në Medi. E takoi engjëllin Rafael në këmbë para tij, por nuk e dinte se ishte engjëlli i Hyjit. 5 Tobia i tha: “Prej nga je, djalosh?” Ai iu përgjigj: “Jam nga bijtë e Izraelit, vëllezërit e tu, e erdha këtu për të punuar.” Tobia i tha: “A mos e di rrugën që shpie në Medi?” 6 Ai u përgjigj: “Po, si jo! Disa herë kam shkuar në Medi e kam qëndruar te Gabaeli, vëllai ynë, që banon në Rages të Medisë. Lypen dy ditë udhëtim për të arritur prej Ekbatanës në Rages. Ragesi është në mal e Ekbatana në mes të fushës.” 7 Tobia i tha: “Më prit këtu, djalosh, sa të hyj e t’i tregoj tim ati. Kam nevojë të vish me mua dhe do ta jap shpërblimin tënd.” 8 Ai i tha: “Ja, po të pres, por mos vono!” 9 Tobia hyri, e lajmëroi t’anë Tobitin e i tha: “Ja, e gjeta një njeri, një nga vëllezërit tanë, nga të bijtë e Izraelit, që të vijë me mua.” I ati i tha: “Ma thirr atë njeri që ta di se cilës familje e fisi i përket. Duhet ta dimë a mund të kemi besim në të për të të përcjellë, biri im.” 10 Tobia doli e thirri dhe i tha: “Djalosh, baba po të kërkon.” Ai hyri dhe Tobiti e përshëndeti i pari. Djaloshi i tha: “Ju uroj lumturi të plotë.” Tobiti iu përgjigj: “Po ç’lumturi unë pres më? Unë jam një njeri që i janë verbuar sytë. S’e shoh më dritën e qiellit, por jam në errësirë si të vdekurit që më nuk e shohin dritën. Jam i gjallë ndër të vdekur. E dëgjoj zërin e njerëzve, por njerëzit nuk i shoh.” Ai iu përgjigj: “Mos të lëshojë zemra, s’do të vonojë e Hyji do të shërojë. Ki besim!” Tobiti vazhdoi: “Tobia, im bir, do të shkojë në Medi. A do të mund të shkosh me të si përcjellës? Unë do të paguaj, vëlla!” Ai iu përgjigj: “Po, mund të shkoj me të sepse e di rrugën. Disa herë kam qenë në Medi, i kam kaluar të gjitha fushat e malet dhe shtigjet e saja.” 11 Tobiti i tha: “Vëlla, prej cilës familje e prej cilit fis je? Më trego, or vëlla!” 12 Ai iu përgjigj: “Po ç’nevojë ke të ma dish fisin?” Por ai i tha: “Dua ta di të vërtetën i kujt je dhe cili është emri yt.” 13 Ai iu përgjigj: “Unë jam Azaria, djali i Ananisë së Madh, një nga vëllezërit e tu.” 14 Atëherë i tha Tobiti: “Mirë se na erdhe, o vëlla! Por mos m’u hidhëro, o vëlla, se desha ta di familjen tënde të vërtetë. Ti qenke vëllai im dhe prej familjes së mirë e bujare! I kam njohur Ananinë e Natanin, dy bijtë e Semelisë së Madh. Edhe ata shkonin me mua në Jerusalem dhe atje adhuronin bashkë me mua. Ata nuk e kanë lënë rrugën e vërtetë. Vëllezërit e tu janë njerëz shumë të mirë. Je prej derës së mirë. Na paç ardhur me këmbë të mirë!” 15 Atëherë vazhdoi: “Unë do të jap për çdo ditë nga një drakmë e, për më tepër, gjithçka është e nevojshme për udhëtim për ty e për djalin tim. Shko me të, 16 e do ta shtoj edhe më pagesën.” 17 Ai iu përgjigj: “Do të shkoj me të. Asgjë mos druaj! Shëndosh do të shkojmë e shëndosh do të kthehemi te ti, sepse rruga është e sigurt.” Tobiti i tha: “Paç bekimin, o vëlla!” Atëherë iu drejtua të birit: “Biri im - i tha - bëji gati gjithçka lypet për udhëtim dhe nisu me vëllanë tënd. Hyji që është në qiell ju mbrojtë atje dhe ai ju ktheftë tek unë shëndosh e mirë. Engjëlli i tij ju përcjelltë me ndihmën e vet, biro!” Tobia u ngrit të niset për rrugë dhe i përqafoi babain e nënën e vet. Tobiti i tha: “Udha mbarë!” 18 Nëna e tij ia plasi vajit e i tha Tobitit: “Pse e nise tim bir? Po a nuk është ai shkopi i dorës sonë, ai që shkon e vjen për ne? 19 Paraja kurrë mos u paftë: na ia marrtë të keqen djalit tonë! 20 Na dilte mjaft aq sa na ka dhënë Zoti për të jetuar!” 21 Ai iu përgjigj: “Ti mos ndill zi se djali ynë shëndosh do të shkojë e shëndosh e mirë do të kthehet te ne dhe sytë e tu do ta shohin atë ditë kur të kthehet shëndosh e mirë te ti! Mos u shqetëso, mos u tremb për ta, motër! 22 Një engjëll i mirë do ta shoqërojë, do të bëjë udhë të mbarë e shëndosh e mirë do të kthehet.” 6 1 Dhe ajo e la vajin. VI. PESHKU 2 Djali u nis për rrugë me engjëllin. Pas tyre u nis edhe qeni. Udhëtuan të dy së bashku e, kur u err nata e parë, u ndalën për të bujtur në bregun e lumit Tigër. 3 Djaloshi zbriti në lumë për t’i larë këmbët, por doli një peshk i madh nga uji e donte t’ia përpijë këmbën djaloshit. Ky bërtiti. 4 Engjëlli i tha: “Kape peshkun e mos e lësho!” Djaloshi e kapi peshkun dhe e qiti në tokë. 5 Atëherë engjëlli i tha: “Çele peshkun, nxirrja tëmblin, zemrën dhe mëlçinë e zezë e vëri anash, ndërsa përbrendëset e tjera hidhi. Tëmbli, zemra dhe mëlçia e zezë e tij janë të dobishme si barna.” 6 Djaloshi e çeli peshkun, mori tëmblin, zemrën e mëlçinë e zezë, e poq një pjesë të peshkut dhe e hëngri, kurse pjesën tjetër e kripi dhe e ruajti për më vonë. Pastaj e vazhduan rrugën të dy së bashku deri sa iu afruan Medisë. 7 Atëherë djaloshi ia bëri këtë pyetje engjëllit: “Vëlla Azari, çfarë fuqie shëruese ka në zemër, në mëlçi e në tëmbël të peshkut?” 8 Ai iu përgjigj: “Zemrën dhe mëlçinë e peshkut e djeg dhe e bën tym pranë njeriut ose gruas që e mundon djalli ose ndonjë shpirt i keq dhe djalli ikën e zhduket pa lënë kurrfarë rrjedhimi të keq kurrë më. 9 Tëmbli vlen për t’i lyer sytë e njeriut që ia ka kapur të bardhët e syve: s’duhet tjetër përveç se të fryhet mbi të bardhët dhe sytë shërohen.” 10 Kur hynë në Medi dhe iu afruan Ekbatanës, 11 atëherë Rafaeli i tha Tobisë: “Tobi, vëlla!” Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” Ai vijoi: “Sonte na duhet të rrimë te Ragueli. Ky njeri është një kushëri i yti dhe ka një vajzë me emër Sarë; 12 madje, ky nuk ka as djalë as vajzë tjetër përveç Sarës. Ti je më i afërmi i saj dhe të takon përparësia dhe ke të drejtën e trashëgimit të pasurisë së babait të saj. Vajza është e dijshme, e zonja dhe shumë e mirë dhe i ati i saj e do shumë.” 13 E vazhdoi: “Ti ke të drejtë ta marrësh për grua. Më dëgjo mua, vëlla: unë do të flas sonte me t’anë për vajzën e do ta fejojmë për ty. Kur të kthehemi nga Ragesi do ta bëjmë dasmën. Unë e di se Ragueli s’mund të mos ta japë ty. E di ai se, në qoftë se ia jep një tjetri, do të vdesë sipas rregulloreve të Librit të Moisiut, sepse ty të takon më parë se kujtdo ta marrësh trashëgimin dhe vajzën e tij. Tashti, më dëgjo, vëlla, do të flasim sonte për këtë vajzë, do ta fejojmë me ty e, kur të jemi kthyer nga Ragesi, do ta marrim me ne e do ta çojmë në shtëpinë tënde.” 14 Atëherë Tobia iu përgjigj Rafaelit: “Vëlla Azari, po unë kam dëgjuar se ajo deri Tani ka qenë e martuar me shtatë burra dhe se ata kanë vdekur në dhomën e martesës. Por unë kam dëgjuar prej disave se po i vritka një djall, 15 e unë tani po trembem se djalli e do atë dhe asaj nuk i bën asnjë të keqe, por e vret atë që do t’i afrohet asaj. Im atë s’ka tjetër djalë e, nëse vdes, babain tim e nënën time do t’i çoj në varr prej dhimbjes për mua. Ata s’kanë tjetër djalë as që t’i varrosë!” 16 Por engjëlli i tha: “A mos i ke harruar porositë e yt atit, i cili të ka urdhëruar ta marrësh për grua një vajzë nga fisi i të parëve të tu? Tani, më dëgjo mua, vëlla: Mos e çaj kokën për këtë djall, por merre atë e dije se sonte ajo të jepet për grua! 17 Vetëm se, kur sonte të hysh në dhomën e dasmës, merre mëlçinë dhe zemrën e peshkut e vëri mbi prush të pluhurit të kemit. Do të lëshojë erë e era do ta përerojë djallin dhe ai do të ikë e kurrë e për këtë jetë më nuk do të afrohet afër saj. 18 E, kur të mbeteni vetëm, të dy çohuni më së pari dhe lutuni e përlutuni Zotit të qiellit që të ketë mëshirë e t’ju japë shëndet. Mos ki frikë: ajo është caktuar që prejfillimit për ty, ti do ta shërosh, me ty do të martohet e besoj se prej saj do të kesh fëmijë e do t’i kesh si vëllezër. Aspak mos u mat!” Kur Tobia i dëgjoi fjalët e Rafaelit se Sara ishte motra e tij, do të thotë prej fisit të babait të tij, e deshi aq fort sa që s’mundte ta largonte zemrën e vet prej saj. VII. RAGUELI 7 1 Kur arritën në Ekbatanë, Tobia i tha: “Vëlla Azari, më ço drejt e te vëllai ynë Ragueli.” Ai e çoi drejt e në shtëpi të Raguelit. Raguelin e gjetën duke ndenjur te dera e oborrit të vet. Këta e përshëndetën të parët. Ai ua ktheu përshëndetjen me: “Mirë se na erdhët, vëllezër! Urdhëroni brenda!” Dhe u priu në shtëpi. 2 I tha gruas së vet Ednës: “Sa shumë që po i përngjaka ky djalosh tim vëllai Tobitit!” 3 Atëherë Edna po i pyet: “Nga ju kemi, o vëllezër?” Ata i përgjigjën: “Jemi nga bijtë e Neftaliut të mërguar në Ninivë.” 4 U tha: “A mos e njihni vëllanë tonë Tobitin?” Ata i përgjigjën: “E njohim.” Ajo vazhdoi: “A është mirë?” 5 Ata i përgjigjën: “Gjallë është e i fortë.” E Tobia shtoi: “Është baba im.” 6 Atëherë u ngrit në këmbë Ragueli e përqafoi duke qarë 7 e tha: “Qofsh bekuar, o bir! Je biri i një babai shumë të mirë! Se ç’fatkeqësi që një burrë i drejtë e bamirës si ai u verbua!” Dhe e mbante ngrykë duke qarë në qafën e Tobisë djalit të vëllait të vet. 8 Qau edhe gruaja Edna, qau nga përmallimi edhe vajza e tyre Sara. 9 Ragueli e preu dashin e grigjës dhe u bëri një pritje të përzemërt. Atëherë u lanë e u pastruan dhe u ulën në tryezë për të ngrënë darkë. Tobia i tha Rafaelit: “Vëlla, Azari, thuaj Raguelit të ma japë motrën time Sarën.” 10 Ragueli i dëgjoi këto fjalë e i tha djaloshit: “Ha e pi e gëzohu pa u shqetësuar aspak sonte. S’ka tjetër njeri që duhet ta marrë bijën time Sarën përveç teje, o vëlla. Po ashtu as unë nuk kam leje t’ia jap një burri tjetër përveç teje, sepse ti je më i afërmi im. Por, more bir, më duhet ta them të vërtetën. 11 Shtatë herë provova t’ia gjeja një burrë nga vëllezërit tanë, por të gjithë vdisnin natën e parë kur hynin në dhomën e saj. E tani, biri im, ha e pi e le të bëhet me ju si të dojë Zoti.” Por Tobia nguli këmbë: “Pra unë as s’do të ha, as s’do të pi pa më thënë se ç’do të bësh me mua.” Ragueli iu përgjigj: “Të qoftë! Po ta jap siç e thotë Libri i Ligjit të Moisiut, pse kështu ka qenë caktuar prej Qiellit që të jetë e jotja! Merre motrën tënde. Tani e tutje ti je vëllai i saj e ajo është motra jote. Është jotja sot e përgjithmonë! Zoti i qiellit ju mbroftë sonte dhe ju dhëntë mëshirën e paqen e vet!” 12 Atëherë Ragueli e thirri Sarën, vajzën e vet. Ajo u afrua. Ragueli e mori dorën e saj, ia dha atij e tha: “Merre për grua sipas Ligjit e rregullores që është e shkruar në Librin e Moisiut: është gruaja jote! Të qoftë e çoje te babai yt shëndosh e mirë. Hyji i qiellit ju dhuroftë udhë të mbarë e paqe.” 13 Atëherë e thirri nënën e vajzës e kërkoi t’i sjellë një letër për ta shkruar dokumentin e martesës se ia dha për grua sipas rregullores së Ligjit të Moisiut. Nëna e saj e solli letrën dhe Ragueli e shkroi dhe e nënshkroi. 14 Atëherë filluan të hanë e të pinë. 15 Ragueli e thirri gruan e vet Ednën e i tha: “Motër, bëje gati dhomën tjetër e çoje vajzën atje.” 16 Ajo shkoi, shtroi sikurse i qe thënë, e çoi vajzën brenda, qau për të, i fshiu lotët e i tha: 17 “Mos të lëshojë zemra, o bijë! Zoti i qiellit e shndërroftë vuajtjen tënde në hare! Zemër, bija ime!”, dhe doli jashtë. VIII. VARRI 8 1 Pasi hëngrën e pinë, shkuan të flejnë. Djalin e përcollën dhe e shtinë në dhomën e martesës. 2 Tobia nuk i kishte harruar fjalët e Rafaelit: mori nga thesi i vet zemrën e mëlçinë e peshkut dhe i vuri mbi prush të kemit. 3 Era e peshkut e dëboi djallin, i cili iku në krahinat e sipërme të Egjiptit. Shkoi edhe Rafaeli, e lidhi atë atje dhe menjëherë u kthye. 4 Ata dolën dhe e mbyllën derën e dhomës. Atëherë Tobia u ngrit nga shtrati e i tha: “Ngritu, motër! T’i lutemi e t’i përlutemi Zotit tonë që të ketë dhimbje për ne e të na shërojë.” 5 U çuan e ia nisën të luten e të përluten që Zoti t’i ruante shëndosh e mirë. Ia filluan kështu: “ I bekuar je, Hyji i etërve tanë, dhe i bekuar është Emri yt në shekuj të shekujve! Le të bekojnë qiejt dhe të gjitha krijesat e tua në të gjithë shekujt! 6 Ti e krijove Adamin dhe ia çove ndihmë e mbështetje Evën e prej këtyre të dyve lindi gjinia njerëzore. Ti the: ‘S’është mirë që njeriu të jetë vetë, T’ia bëjmë një ndihmëse të ngjashme si ai.’ 7 E tani o Zot, jo dëshira e paligjshme s’më shtyt ta marr për grua këtë motër, por e bëj me qëllim të ndershëm. Ki mëshirë për mua e për të e bëj t’ia arrimë së bashku pleqërisë!” 8 E brohoritën së bashku: “Amen, amen!” 9 Dhe fjetën gjithë natën. Ndërkaq Ragueli u çua natën, i thirri shërbëtorët e vet, shkuan së bashku dhe e hapën një gropë. 10 Mendonte me vete: “Mund të vdesë e kështu bëhemi rast përqeshjeje e turpërimi.” 11 Pasi e çelën gropën e varrit, Ragueli u kthye në shtëpi dhe e thirri të shoqen 12 e i tha: “Dërgoje një shërbëtore e të hyjë brenda të shohë a është gjallë, e, në qoftë se ka vdekur, të shkojmë e ta varrosim pa ditur askush.” 13 E dërguan shërbëtoren, e ndezën dritën, e hapën derën. Shërbëtorja hyri brenda dhe, ja, të dy flinin së bashku në shtrojë! 14 Shërbëtorja u kthye dhe u lajmëroi se djaloshi ishte gjallë dhe s’kishte ndodhur asnjë e keqe. 15 Atëherë e bekuan Hyjin e qiellit e thanë: “ I bekuar je, o Hyj, me të gjitha bekimet e shenjta e të pastërta të bekofshin të gjithë shenjtërit e tu dhe të gjitha krijesat e tua! Të gjithë engjëjt e tu e të gjithë të zgjedhurit e tu le të bekojnë në shekuj të shekujve! 16 I bekuar je pse më ngushëllove e nuk më ndodhi si ia kisha frikën, por u solle me ne me dashurinë tënde të pamasë! 17 I bekuar je pse pate mëshirë për këta dy bij të vetëm! Jepu, o Zot, hir e shëndet që ta kalojnë jetën në dashuri e hir!” 18 Atëherë u urdhëroi shërbëtorëve të vet ta mbyllin gropën para se të zbardhë drita. 19 Pastaj i urdhëroi gruas të gatuajë sa më shumë bukë e vetë shkoi në vathë, mori dy mëzetër e katër desh, urdhëroi të theren dhe nisën ta bëjnë gati gostinë. 20 Atëherë e thirri Tobinë dhe iu përbetua: “Për katërmbëdhjetë ditë s’do të largohesh këndej, por do të qëndrosh këtu duke ngrënë e duke pirë me mua, sepse dua t’i kënaqet zemra bijës sime që aq shumë dhimbje ka sprovuar. 21 Atëherë merr gjysmën e të gjithë pasurisë sime dhe kthehu shëndosh e mirë te baba yt. Pjesën tjetër do ta merrni pasi të kemi vdekur unë dhe gruaja ime. Zemër, biri im! Unë jam babai yt e Edna është nëna jote! Të tutë jemi e të motrës sate Tani e përgjithmonë! Zemër, biri im!” IX. DASMA 9 1 Atëherë Tobia e thirri Rafaelin dhe i tha: 2 “Vëlla, Azari, merri katër shërbëtorë e dy gamile, shko në Rages te Gabaeli, jepja vërtetimin e merri paratë dhe sille edhe atë me ty në dasmë. 3 Ti e di mirë se im atë i numëron ditët e, në qoftë se vonohem edhe vetëm një ditë, do ta bëj të vuajë shumë. 4 E pastaj ti po sheh se si u përbetua Ragueli e përbetimin e tij s’kam si ta përbuz.” 5 Rafaeli shkoi me katër shërbëtorë e dy deve në Rages të Medisë, hynë te Gabaeli, Rafaeli ia dha vërtetimin e nënshkruar dhe i tregoi se Tobia, biri i Tobitit, ka marrë për grua bijën e Raguelit dhe se e fton atë në dasmë. Gabaeli u ngrit, i solli trastat me vulat e tyre të paprekura, i numëroi paratë dhe i ngarkoi në deve. 6 U zgjuan heret dhe të dytë erdhën në dasmë. Hynë në shtëpinë e Raguelit dhe e gjetën Tobinë duke ngrënë. Gabaeli u lëshua, e përshëndeti, e përqafoi, qau mbi Tobinë, e bekoi dhe i tha: “Qoftë bekuar Zoti që t’i dha të gjitha të mirat, sepse je djali i babait të mirë, të drejtë e bamirës! Të bekoftë Zoti i qiellit ty, gruan tënde, babain e nënën tënde, babain e nënën e gruas sate! E qoftë bekuar Hyji, që më bëri të fatshëm ta shoh Tobinë, që ia paska prerë kokën Tobitit, kushëririt tim!” 10 1 Ndërkaq Tobiti vazhdimisht i numëronte ditët që lypeshin për të shkuar e për t’u kthyer djali i tij. E pasi u kryen ditët e i biri nuk erdhi, 2 mendoi me vete: “Vallë, a do të jetë ndalur atje më gjatë? A mos do të ketë vdekur Gabaeli dhe s’ka kush t’ia kthejë paratë?” 3 E filloi të bjerë në mendime. 4 Po edhe gruaja e tij Ana thoshte: “Ka mbaruar im bir e më nuk është ndër të gjallët! Pse, pra, po vonon?” Dhe qante dhe e vajtonte të birin. Thoshte: 5 “E mjera unë, biri im, që të lashë të shkosh, drita e syve të mi!” 6 Tobiti i jepte zemër: “Mos, mos ndill zi, motër! Shëndosh e mirë është djali ynë, por patjetër do t’i jetë dashur të ndalet atje. Po pastaj edhe njeriu që është me të, është njeri besnik dhe prej vëllezërve tanë! Mos u dëshpro për këtë punë, o motër, s’do të vonojë e do të vijë!” 7 Por ajo i tha: “Mos më fol më! Pse don të më gënjesh? Ka vdekur biri im!” Dhe çdo ditë dilte e kundronte rrugën kah kishte shkuar i biri dhe s’shtinte gjë në gojë. Kur perëndonte dielli, hynte brenda e vajtonte gjithë natën dhe nuk flinte. Kur u kryen katërmbëdhjetë ditët e dasmës që Ragueli ishte përbetuar t’i bënte për nder të vajzës së vet, Tobia u çua e i tha Raguelit: “Tani më lejo të nisem, sepse e di mirë se im atë e ime nënë nuk besojnë se do të më shohin më. Tani, pra, po të lutem, o atë, më lejo të nisem e të shkoj tek im atë, se tashmë ta kam shpjeguar gjendjen në të cilën e kam lënë.” 8 Ragueli i tha Tobisë: “Rri, biri im, rri ende me mua e unë po dërgoj lajmëtarë tek yt atë Tobiti që t’i tregojë për ty.” 9 Por Tobia ia preu: “Assesi! Por po të lutem, më lejo të nisem që tani për tek im atë.” 10 Ragueli u ngrit dhe ia dorëzoi Tobisë Sarën, gjysmën e pasurisë së vet, shërbëtorë e shërbëtore, dele e lopë, gomarë e deve, petka, para e orendi. 11 E la të shkonte, i uroi udhë të mbarë e i tha: “Shëndet të mirë e udhë të mbarë, biri im! Zoti i qiellit ju priftë për së mbari në jetë, e mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë fëmijët tuaj!” 12 Atëherë e përqafoi bijën e vet Sarën. Asaj i tha: “Bija ime, nderoje vjehrrin tënd e vjehrrën tënde, sepse ata që tani janë prindërit e tu, pikërisht sikurse ne që të kemi lindur! Shko në paqe, bija ime! Ndjesha mirë për ty gjatë jetës sime!” E përqafoi dhe i la të nisen. Kurse Edna i tha Tobisë: “Zoti i qiellit të çoftë shëndosh e mirë, bir e vëlla i dashur! Mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë bijtë e tu e të sime bijë Sarës që të gëzohem në praninë e Zotit. Po ta dorëzoj bijën time në roje e mos i sill kurrë gjatë jetës sate hidhërim! Shko, o bir, në paqe! Që tani unë jam nëna jote e Sara motra jote. E bëftë Zoti e të gjithë e kalofshim krejt jetën në lumturi!” I përqafoi të dy e i la të nisen të kënaqur. 13 Tobia u nis nga Ragueli shëndosh e mirë duke e bekuar Zotin e qiellit e të dheut, Mbretin e gjithësisë, që ia kishte drejtuar për së mbari udhëtimin. Atëherë e bekoi Raguelin dhe gruan e tij Ednën e u tha: “E paça fatin e mirë t’ju nderoj si prindërit e mi gjatë krejt jetës suaj!” X. SYTË 11 1 U nisën rrugës e arritën në Karran që është përballë Ninivës. 2 Atëherë Rafaeli tha: “Ti e di se në ç’gjendje e kemi lënë tët atë. 3 Po shpejtojmë ne të dy të shkojmë para gruas sate për ta rregulluar shtëpinë.” 4 Të dy së bashku kaluan përpara. Rafaeli i tha: “Merre me vete tëmblin e peshkut!” Qeni u nda nga turma dhe e ndiqte Tobinë. 5 Ana kishte dalë jashtë e kundronte udhën nga do t’i vinte i biri. 6 Dhe ja, e pa se po vinte e i tha atit të tij: “Ja, po vjen yt bir dhe njeriu që ishte me të!” 7 Rafaeli i tha Tobisë para se t’i afrohej t’et: “E di se sytë e tij do të shërohen. 8 Zbraze tëmblin e peshkut në sytë e tij dhe bari do ta heqë lëkurëzën e të bardhëtit nga sytë e tij. Yt atë do të shikojë e do ta shohë dritën.” 9 Ana vrapoi përpara tij, e përqafoi të birin e i tha: “Të pashë edhe një herë, o bir! Tani mund edhe të vdes!” Dhe s’i pushonin lotët. 10 U ngrit edhe Tobiti e, bjer e çou, ia doli disi të dalë në trinë të oborrit. Vrik iu afrua Tobia. 11 Në dorë mbante tëmblin e peshkut, i fryu në sy, e mori për krahut dhe i tha: “Ki besim, babë!” Atëherë ia qiti barin dhe ia mbajti ashtu për pak kohë. 12 Pastaj me të dy duart ia hoqi lëkurëzën e bardhë nga skajet e syve të tij. 13 Tobiti e pa djalin e vet, e përqafoi, 14 e me lot për faqe i tha: “Po të shoh, biri im, drita e syve të mi!” Atëherë tha: “Qoftë bekuar Hyji! Qoftë bekuar Emri i tij i madh! Qofshin bekuar të gjithë engjëjt e tij të shenjtë në shekuj të shekujve! 15 Njëmend ai më kishte frushkulluar, por ja, e shoh tim bir Tobinë!” Atëherë Tobiti e gruaja e tij hynë në shtëpi dhe e bekuan plot gëzim e me zë të lartë Hyjin për gjithçka u kishte ndodhur. Atëherë Tobia e njoftoi t’anë se si Zoti Hyj ia kishte përfunduar mirë udhëtimin e tij: se i kishte marrë paratë, se e kishte marrë për grua të bijën e Raguelit, Sarën, që s’do të vononte të arrinte dhe se duhet të jetë afër derës së Ninivës. U mbushën gëzim Tobiti e Ana, 16 dhe dolën ta ndeshin të renë e vet te dera e Ninivës. Gjindja e Ninivës që e shihnin Tobitin duke ecur e duke shpejtuar plot fuqi si dikur e pa e marrë askush për dore, mbetën të habitur. 17 Tobiti e pranonte haptas se Hyji kishte pasur mëshirë për të dhe e bekonte Hyjin me zë të lartë që ia kishte shëruar sytë. Pastaj Tobiti e takoi Sarën, nusen e djalit të vet, Tobisë, e bekoi e i tha: “Mirë se erdhe, bija ime! Qoftë bekuar Hyji yt që të pruri te ne, o bijë! Qoftë bekuar yt atë, qoftë bekuar im bir Tobia! Qofsh bekuar ti, o bijë! Hyr me hije të mirë në shtëpinë tënde në bekim e në gëzim, hyr, bija ime!” Gëzim i madh qe atë ditë për të gjithë judenjtë që ishin në Ninivë. 18 Erdhën te Tobia për t’u gëzuar së bashku me të, erdhën edhe kushërinjtë e tij Ahihari e Nadabi. U bë dasmë për shtatë ditë me gëzim të madh dhe u ndanë dhurata të shumta. XI. RAFAELI 12 1 Kur dasma mori fund, Tobiti e thirri djalin e vet Tobinë e i tha: “Njeriut që udhëtoi me ty na duhet t’ia shprehim falënderimin tonë dhe është e rrugës t’ia shtojmë shpërblimin.” 2 Tobia iu përgjigj: “Babë, sa thua ti t’i japim për shpagim? Nuk bjerr edhe nëse ia jap gjysmën e pasurisë që e solli bashkë me mua. 3 Ai më solli mua shëndosh e mirë, e shëroi gruan time, me mua i solli paratë e në fund të shëroi edhe ty! Si mund ta shpërblejmë për të gjitha këto të mira?” 4 Atëherë iu përgjigj Tobiti: “E meriton, biri im, ta marrë gjysmën e të gjitha këtyre të mirave që solli me ty.” 5 Atëherë Tobia e thirri bashkudhëtarin e vet e i tha: “Merre gjysmën e pasurisë që ma solle si shpërblim që të takon e t’u priftë e mbara gjithmonë!” 6 Atëherë Rafaeli i mori të dy, i ndau veçmas, e u tha: “Bekojeni Hyjin dhe lëvdojeni Atë ndër sy të gjithë të gjallëve për të mirat që na i bëri! Bekojeni e lëvdojeni Emrin e tij! Bëni që të gjithë njerëzit t’i dinë veprat e Zotit ashtu si ato e meritojnë! Mos pushoni duke iu falënderuar! 7 Fshehtësitë e mbretit është mirë të mbahen si fshehtësi, por është nder të zbulohen e të shpallen veprat e Hyjit. Bëje të mirën e s’do t’ju gjejë asnjë e keqe! 8 Është e mirë lutja me agjërim dhe lëmosha me drejtësi. Më mirë është të kesh pak e me drejtësi se pasuri të madhe e me padrejtësi. Është më mirë të japësh lëmoshë se të grumbullosh ar. 9 Lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkat. Ata që bëjnë lëmoshë, do të jenë jetëgjatë, 10 kurse ata që bëjnë mëkate e padrejtësi, janë armiq të vetvetes. 11 Dua t’jua zbuloj tërë të vërtetën dhe s’do t’jua fsheh asnjë fjalë. Jua shpjegova më parë e ju thashë: Të fshehësh fshehtësinë e mbretit është punë e mirë, kurse t’i shpallësh veprat e Hyjit është nder. 12 Tani: kur ti e Sara luteshi, unë i paraqitja lutjet tuaja para Lavdisë së Zotit, po ashtu edhe kur ti i varrosje të vdekurit. 13 Po edhe atë ditë kur nuk ngurrove ta lësh drekën tënde e u çove dhe e varrose të vdekurin, unë qesh dërguar te ti për të të vënë në provë. 14 Por përsëri Hyji më dërgoi mua për të të shëruar ty e Sarën, renë tënde. 15 Unë jam Rafaeli, njëri nga shtatë engjëjt e shenjtë që jemi të gatshëm të hyjmë në praninë e Lavdisë së Zotit.” 16 Atëherë ata i pushtoi një tmerr i madh, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së forti. 17 or ai u tha: “Mos kini frikë! Paqja me ju! Bekojeni Hyjin gjithmonë! 18 Kur isha me ju, s’isha me ju prej nismës sime, por me vullnetin e Hyjit. Atë duhet ta bekoni gjithmonë, Atij këndoni lavde! 19 Juve u dukej se unë po haja, e unë s’haja asgjë, por juve ashtu u dukej. 20 Por, bekojeni Zotin mbi tokë dhe falënderone Hyjin! Ja, unë po ngjitem tek Ai që më ka dërguar. Shkruani të gjitha këto që ju kanë ndodhur!” Dhe ai u ngrit. 21 Ata u çuan në këmbë, por më s’e panë. 22 E bekonin Hyjin, i këndonin himne, i falënderonin për të gjitha këto mrekulli të tija dhe u rrëfenin të gjithëve se si u ishte dukur engjëlli i Hyjit. XII. SIONI 13 1 Atëherë Tobiti e shkroi këtë lutje hareje e tha: 2 “Qoftë bekuar Hyji që jeton gjithmonë dhe mbretëria e tij! Ai ndëshkon e mëshiron, çon deri në fund të Nëndheut dhe me madhërinë e vet nxjerr nga bjerrja: askush s’i shpëton dorës së tij! 3 Lëvdojeni ndër sy të paganëve, ju, bijtë e Izraelit! Ai njëmend ju shpërndau në mes tyre, 4 por edhe atje ua dëftoi madhërinë e vet. Madhërojeni ndër sytë e të gjithë të gjallëve: ai është Zoti ynë, Ati ynë, ai është Hyji ynë në shekuj të shekujve! 5 Ai do t’ju ndëshkojë për shkak të këqijave tuaja, por ai do të ketë mëshirë për të gjithë ju: do t’ju mbledhë prej të gjitha kombeve kudo që do të jeni të humbur! 6 Kur të ktheheni tek Ai për ta zbatuar para tij të vërtetën me gjithë mend e zemër, atëherë ai do të kthehet te ju, më fytyrën prej jush s’do ta fshehë. Vëreni si veproi me ju falënderojeni me zë të lartë! Lëvdone Zotin e drejtësisë, lartësone Mbretin e shekujve! Unë e lëvdoj në dheun e mërgimit tim, fuqinë e madhërinë e tij unë ia shpall popullit të mëkatarëve. Kthehuni kah ai, mëkatarë, para tij drejtësinë zbatone! Kush e di? Prapë ndoshta ju do e për ju ai ka mëshirë. 7 Sa për mua, do ta lëvdoj Hyjin, shpirti im gëzim do të ketë në Mbretin e madhërueshëm të qiellit të gjitha ditët e jetës sime! 8 Të gjithë ju të zgjedhurit bekone Zotin, të gjithë lëvdone madhërinë e tij! Gëzohuni dhe atë lëvdone! 9 Rruzalem, qytet i shenjtë, të shkallmoi Zoti për faje të tua! 10 Me vepra të mira madhëro Zotin, beko Mbretin e amshueshëm! Në ty përsëri ai vetë me gëzim Tempullin tënd ai do ta ndërtojë që të gëzojnë në ty të gjithë të humburit, e që në ty t’i dojë të gjithë të mjerët, brez pas brezi deri në amshim! 11 Dritë e ndritshme do të shkëlqejë anë e kënd skajet e dheut, prej kahmosi te ti do të vijnë kombe të ndryshme edhe të shumta që i përmban rrumbullaku i dheut tek i shenjti Emri yt! ngarkuar duart me dhurata për t’ia dhënë Mbretit të qiellit! Rruzalem, në ty do të gëzohen breznitë e të gjitha breznive i ‘Zgjedhur’ ti do të quhesh në jetë të jetës për amshim! 12 Mbi ata do të bjerë mallkimi që guxojnë ty të të mallkojnë! Të mallkuar do të jenë ata që guxojnë ty të të rrënojnë, muret e tua që i prishin, të gjithë ata që pirgjet të prishin, që i djegin banesat tua. Ata, do të jenë të bekuar, që gjithmonë të duan me nderim! 13 Atëherë gëzo edhe galdo për bijtë e të drejtëve, se të gjithë do të bashkohen e për amshim do të bekojnë Zotin. 14 I lumi ai që ty të do, të lumët ata që shpirti u kënaqet për paqen që ty të takon! Lum ata që do t’u vijë keq për të gjitha mjerimet tua, sepse në ty do të gjejnë gëzim, do ta shohin gëzimin tënd të përhershëm! 15 Shpirti im gëzohu në Zotin, në të Madhin Mbret, 16 sepse në qytet të Jerusalemit do të ndërtohet Shtëpia e tij e paepur në shekuj të shekujve! I lum do të jem, nëse ndokush nga të mijtë do të jetë lavdinë tënde për ta parë, e të lëvdojë Mbretin qiellor! Me smaragd e me safir dyert e tua, o Rruzalem, do të ndërtohen, muret’ tua me gurë të paçmueshëm, pirgjet tua, o Jerusalem, do të ndërtohen me ar të kulluar, me ar të pastër frangjitë e tua! 17 Të Rruzalemit rrugët do të shtrohen me xhevahirë e gurë ofiri, me këngë hareje do të buçasin dyert e tua, Jerusalem, në rrugët e tua do të jehojë: ‘Aleluja!’ Qoftë bekuar Hyji i Izraelit, bekuar qoftë kush ta bekojë Emrin tënd, në shekuj të shekujve!” 14 1 Këtu mori fund lutja e lavdit të Tobitit. XIII. NINIVA Tobiti vdiq në paqe njëqind e dymbëdhjetë- vjeçar. Me nderime qe varrosur në Ninivë. 2 Ishte gjashtëdhjetedyvjeçar kur iu verbuan sytë. Pasi e rifitoi dritën e syve jetoi në begati. Bëri shumë lëmoshë dhe gjithënjë vazhdoi ta bekonte Hyjin dhe t’i thurte lavdi madhërisë së Hyjit. 3 Kur iu afrua koha të vdesë, e thirri të birin, Tobinë, e porositi e i tha: “Biro, merri e çoji fëmijët e tu 4 në Medi, sepse unë i besoj fjalës së Hyjit, që e tha Nahumi kundër Ninivës. Të gjitha do të plotësohen, të gjitha do të vijnë mbi Asirinë e mbi Ninivën ashtu si i kanë parakallëzuar profetët e Izraelit që i ka dërguar Hyji. Të gjitha do të plotësohen, asnjë fjalë s’do të mbesë pa u plotësuar, të gjitha do të sendertohen në kohën e vet. Do të jetë më siguri në Medi se në Asiri e në Babiloni, sepse unë e di mirë dhe e besoj, se do të ndodhë gjithçka ka thënë Hyji. Të gjitha fjalët do të shkojnë në vend dhe asnjë fjalë e profetëve, s’do të bjerë poshtë. Edhe vëllezërit tanë që jetojnë në tokën e Izraelit, të gjithë do të jenë të shpërngulur e do të merren skllevër nga ai vend i mirë. Mbarë dheu i Izraelit do të mbesë i shkretë. Rrafsh do të bëhet Samaria e Jerusalemi, dhe Shtëpia e Hyjit do të kthehet në gjendje të mjerueshme: do të digjet e do të mbesë shkretë për një kohë të caktuar. 5 Por, përsëri Hyji do të ketë dhimbje për ta e do t’i kthejë në tokën e Izraelit. Prapë do ta ndërtojnë Shtëpinë e Hyjit, por jo më si të parën, deri që të kalojë koha e mallkimeve. Veç atëherë do të kthehen nga dheu i mërgimit të tyre, do ta rindërtojnë Jerusalemin me madhëri dhe në të do të ndërtohet Tempulli i Hyjit, po ashtu siç kanë thënë për të të gjithë profetët e Izraelit. 6 Të gjithë popujt e mbarë botës do të kthehen e do ta nderojnë me të vërtetë Hyjin, të gjithë do t’i mënjanojnë zotat e vet të rremë, që me ngashnjimin e tyre i bëjnë të bien në gabim. 7 Atëherë do ta bekojnë Hyjin e amshueshëm në drejtësi. Të gjithë bijtë e Izraelit në ato ditë do të lirohet e, duke e kujtuar Hyjin, së bashku do të vijnë në Jerusalem dhe do të banojnë në tokën e Abrahamit të sigurtë e përgjithmonë dhe ajo përsëri do të bëhet prona e tyre e përhershme. Do të galdojnë të gjithë ata që e duan Hyjin përnjëmend, ndërsa ata që bëjnë mëkate e padrejtësi, do të zhduken nga dheu. 8 E tani, bijtë e mi, po ju urdhëroj: Shërbeni Hyjit në të vërtetën dhe bëni para tij çka atij i pëlqen. Edhe ju urdhëronu fëmijëve tuaj të bëjnë vepra të mira e lëmoshë, ta kujtojnë Hyjin dhe ta bekojnë gjithmonë Emrin e tij në të vërtetë e me të gjitha fuqitë e tyre. 9 E atëherë, biri im, lëshoje Ninivën e mos qëndro më këtu, 10 por, pasi ta kesh varrosur nënën tënde përbri meje, që atë ditë mos qëndro më brenda kufijve të saj, sepse po shoh se këtu po bëhen keqbërësi të mëdha e poshtërsi të shumta dhe nuk po u vjen turp. A po sheh, biri im, se ç’i bëri Nadabi Ahiharit që e kishte rritur. A nuk qe shtënë gjallë në dhe? Por Hyji e çoi turpësinë e tij mbi kokën e tij: Ahihari doli në dritë, kurse Nadabi hyri në terrin e amshueshëm, sepse kërkoi ta vrasë Ahiharin. Duke bërë lëmoshë shpëtoi nga laku i vdekjes, që ia kishte përgatitur Nadabi. Por Nadabi ra vetë në lakun e vdekjes dhe mbaroi. 11 E tani, bijtë e mi, shikoni çka bën lëmosha e çka bën mëkati që çon në vdekje. Por, po më merret fryma...” E kapën dhe e vunë në shtrat. S’vonoi e vdiq. I bënë një salikim me nderime të mëdha. 12 Pastaj, kur i vdiq e ëma, Tobia e varrosi përbri t’et e shkoi me gjithë gruan e vet në Medi dhe jetoi në Ekbatanë me vjehrrin e vet Raguelin. 13 I rrethoi me kujdes në pleqërinë e tyre dhe i nderoi. Kur vdiqën i varrosi me nderim në Ekbatanën e Medisë. Tobia e trashëgoi pasurinë e Raguelit si edhe atë të babait të vet, Tobitit. 14 Vdiq pasi jetoi i nderuar njëqind e shtatëmbëdhjetë vjet. 15 Para se të vdiste dëgjoi për rrënimin e Ninivës dhe i pa robërit e saj që shpërnguleshin në Medi, ku i solli Asueri, mbreti i Medisë. E bekoi Hyjin për gjithçka bëri ndaj ninivasve e asirëve. U kënaq para se të vdiste për fatin e keq të ninivasve dhe e bekoi Hyjin për shekuj të shekujve.