Jakobi: 1. Feja dhe urtia

1

1 Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anë e kënd nëpër botë: shëndet.

Feja dhe urtia

2 Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’iu ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie, 3 duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë. 4 Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.

5 Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t’ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t’i jepet. 6 Por le ta kërkojë me fe të gjallë, pa farë dyshimi; sepse ai që dyshoni përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplas. 7 Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit 8 – njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta.

Varfëria dhe pasuria

9 Vëllai me prejardhje të ulët le të mburret me lartësimin e tij, 10 kurse pasaniku për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit. 11 Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta.

Prova dhe tundimi

12 Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, pasi t’i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin. 13 Askush që është i tunduar të mos thotë: »Hyji më tundon«, sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd.

14 Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer. 15 Lakmimi pastaj i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.

16 Mos u tradhtoni, vëllezërit e mi të dashur: 17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije dyshimi. 18 Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti i parë i krijesave të tij.

Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala

19 Dijeni mirë, vëllezërit e mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim. 20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit. 21 Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpritrat tuaj.

22 Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. 23 Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë: 24 e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe. 25 Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë – e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

26 Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë. 27 Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.

Jakobi: 2. Qortim rreth krahambajtjes

2

1 Vëllezërit e mi, mos e përzieni fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahambajtje! 2 Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, 3 e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: »Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!«, ndërsa skamnorit i thoni: »Rri atje, në këmbë!« ose: »Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!«, 4 a nuk gjykuat ju në vetvete me krahambajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti?

5 Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? 6 E ju e përbuzët skamnorin! Po a nuk ju marrin nëpër këmbë pikërisht pasanikët? Po a nuk ju çojnë pikërisht ata nëpër gjyqe? 7 Po a nuk e shajnë pikërisht ata të bukurin Emër që u thirr mbi ju? 8 S’ka dyshim, në qoftë se e zbatoni ligjin mbretëror si thotë Shkrimi i shenjtë: »Duaje të afërmin tënd si vetveten!«, atëherë bëni mirë. 9 Por, në qoftë se ju i mbani anë ndokujt, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës të ligjit. 10 Sepse, ai që e mban krejt ligjin, por e prish vetëm në një pikë, bëhet fajtor i tërë ligjit. 11 Sepse, Ai që tha: »Mos bëj kurorëthyerje!«, tha edhe: »Mos vra

Tashti, në qoftë se ti nuk bën kurorëthyerje, por vret, bëhesh prishës i ligjit. 12 Flitni ashtu dhe ashtu veproni, si ata që do të gjykohen me ligjin e lirisë! 13 Sepse, gjyqi nuk ka mëshirë për atë që nuk është i mëshirshëm; mëshira ngadhënjen mbi gjyqin.

Feja dhe veprat

14 Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? 15 Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, 16 dhe ndokush prej jush u thotë: »Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!«, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! 17 Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete.

18 Por ndokush mund të thotë: »Ti ke fenë, kurse unë kam veprat. Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë«. 19 Ti beson se është një Hyj i vetëm? Bën mirë. Por besojnë edhe djajtë dhe dridhen!

20 A dëshiron ta kuptosh, more qyqar, se feja pa vepra është e pafrytshme? 21 Abrahami, ati ynë, a nuk qe shfajësuar në saje të veprave, kur e kushtoi mbi lter Izakun, djalin e vet? 22 A po sheh se feja ka bashkëpunuar me veprat e tij dhe feja e Shkrimit të shenjtë që thotë: »I besoi Abrahami Hyjit dhe iu numërua për drejtësi«, dhe u bë miku i Hyjit. 24 A po shihni se njeriu shfajësohet me vepra e jo vetëm me fe. 25 Gjithashtu, a nuk u shfajësua edhe Rakaba lavire me anë të veprave, kur u bëri mikpritje të dërguarve dhe i përcolli një udhe tjetër? 26 Sepse, sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur.

Jakobi: 3. Gjuha

3

1 Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë mësues, duke e ditur se do të gjykohemi më rëndë. 2 Për të vërtetë, të gjithë gabojmë shumë. Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë, ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojë mbarë trupin. 3 Nëse kuajve u vëmë frerët në gojë për t’i vënë nën sundim, atëherë mund të drejtojmë mbarë trupin e tyre. 4 Ja, edhe anijet: sa të mëdha janë ato dhe sa të forta erërat që i shtyejnë! E pra, një timon i vogël i drejton atje ku do timonieri! 5 Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.

Ja, një zjarr i vogël se ç’pyll të madh mund të djegë! 6 Po, edhe gjuha është zjarr! Një botë e tërë padrejtësie është gjuha mes gjymtyrëve tona, ajo që e fëlliq të gjithë trupin dhe, e ndezur nga ferri, e bën shkrumb të tërë jetën. 7 E njëmend, të gjitha llojet e egërsirave, të shpendëve, të zvarranikëve dhe të kafshëve të detit mund të zbuten, dhe njerëzit i kanë vënë nën sundim, 8 kurse gjuhën – e keqe e paqetësueshme, plot vrer që sjell vdekjen – asnjë njeri nuk mund ta mbizotërojë.

9 Me të lavdërojmë Zotin edhe Atin, por me të edhe mallkojmë njerëzit e krijuar në përngjasimin e Hyjit: 10 prej të njëjtës gojë del bekimi dhe mallkimi. E pra, vëllezërit e mi, nuk duhet të jetë ashtu! 11 A thua burimi nga e njëjta vrimë qet ujë të ëmbël e të hidhur? 12 A thua, vëllezërit e mi, fiku mund të prodhojë ullinj? Ose hardhia fiq? As burimi i njelmët nuk mund të qesë ujë të ëmbël.

Urtia prej së larti

13 A është ndokush ndër ju i urtë dhe i mençur? Me sjellje të bukur le t’i dëftojë veprat e veta të frymëzuara nga butësia me urti. 14 Por, në qoftë se në zemrën tuaj keni smirën e hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mbani me të madh dhe mos rreni kundër së vërtetës! 15 Kjo urti nuk është ajo që vjen prej së larti, por është tokësore, shqisore, djallëzore. 16 Sepse, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. 17 Kurse urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiake. 18 Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.

Jakobi: 4. Miqësia me botën

4

1 Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? 2 Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; grindeni e luftoni. Nuk keni sepse nuk luteni. 3 Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.

4 Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin? Kushdo, prandaj, do të jetë mik me botën, shndërrohet në armik me Hyjin. 5 Apo ndoshta mendoni se Shkrimi i shenjtë thotë kot: »Me xhelozi e dëshiron shpirtin që e vendosi në ne?«

6 Por Ai jep hir edhe më të madh, prandaj thotë: »Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve përvuajturve u jep hirin. 7 Nënshtrohuni, pra, Hyjit! Kundërshtojini djallit dhe do të largohet prej jush! 8 Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’iu afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! 9 Ofshani, vajtoni, bëni gjëmë! Gëzimi juaj le të kthehet në trishtim! 10 Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’iu lartësojë!

Gjykimi i vëllezërve

11 Mos flitni keq njëri për tjetrin, o vëllezër! Kush flet keq apo gjykon vëllain e vet, ai flet keq për Ligj dhe e gjykon atë. Po e gjykove Ligjin, nuk je zbatues i Ligjit, por gjykues. 12 Vetëm Njëri është Ligjdhënës dhe Gjykues: Ai që mund të shpëtojë dhe të bjerrë. E ti kush je që gjykon të afërmin tënd?

Qortimi rreth vetëlavdërimit

13 Hë de, ju që thoni: »Sot ose nesër do të shkojmë në këtë apo në atë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të tregtojmë e do të fitojmë«, 14 ju që nuk dini as çka do të ndodhë nesër! Po çka është jeta juaj? Është avull që duket për një moment dhe zhduket menjëherë! 15 Në vend që të thoni: »Në dashtë Zoti do të jetojmë dhe do të bëjmë këtë ose atë gjë!« 16 E tani mburreni me krenarinë tuaj. Çdo mburrje e tillë është punë e keqe. 17 Kush, pra, di të bëjë mirë dhe nuk bën, - bën mëkat.

Jakobi: 5. Qortime të drejtuara pasanikëve

5

1 Ku e latë, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! 2 Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. 3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! 4 Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që u korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive! 5 Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndedhët në ëndje të ulëta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! 6 E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.

Durimi dhe lutja

7 Jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të derisa ta kapë shiu i lashtë dhe i voni. 8 Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua!

9 Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! 10 Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët që folën në Emër të Zotit. 11 Ja, të lumtur i quajmë ata që qëndruan në duresë. Për duresën e Jobit dëgjuat edhe qëllimin e Hyjit e patë se Zoti është shumë i mëshirshëm dhe i dhimbshëm.

12 Sidomos, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiell as për dhe, as me ndonjë betim tjetër. Po-ja juaj le të jetë »Po« dhe Jo-ja juaj »Jo«, që të mos të dënoheni.

13 Vuan ndoshta ndokush ndër ju? Le të lutet! A është ndokush në gëzim? Le të këndojë himne! 14 Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke e lyer me vaj në emër të Zotit 15 dhe lutja e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtërijë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen. 16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëroheni!

Lutja e të drejtit ka shumë fuqi kur thuhet me gjithë zemër. 17 Elia ishte njeri tamam si ne: u lut me gjithë shpirt të mos bjerë shi dhe mbi tokë nuk ra shi për tri vjet e gjashtë muaj. 18 Dhe përsëri u lut dhe qielli dha shi e toka dha frytin e vet.

19 Vëllezërit e mi, në qoftë se ndonjë prej jush e lë Udhën e së Vërtetës, por nëse ndokush e kthen, 20 le ta dini se kush e kthen mëkatarin prej udhës së gabuar do të (ia) shëlbojë shpirtin nga vdekja dhe do të bëjë të zhduket një shumicë mëkatesh.