Gjyqtarët: 1. Ngulja e Judës, e Simonit, e Kalebit dhe e cineasve

1

1 Pas vdekjes së Jozuehut izraelitët e pyetën për këshillë Zotin dhe thanë: “Cili nesh do të dalë i pari te Kananeu për të luftuar kundër tij”? 2 Zoti u përgjigj: “Le të dalë Juda! Ja, unë po e lëshoj tokën në duar të tija”.

3 Juda atëherë i tha Simonit, të vëllait: “Dil me mua në shortin tim e të luftojmë kundër Kananeut, dhe kur të të bjerë shorti ty, unë do të vij me ty”. Simoni shkoi me të. 4 Shkoi Juda dhe Zoti ua lëshoi në duar të tyre Kananeun dhe Ferezeun. Në Bezek i vranë dhjetë mijë vetë. 5 Në Bezek gjetën Adonibezekun, luftuan kundër tij dhe i mundën Kananeun e Ferezeun. 6 Por Adonibezeku iku. Ata e ndoqën, e zunë dhe ia prenë pëlqerët e duarve e të këmbëve të tija. 7 Adonibezeku tha: “Shtatëdhjetë mbretër, pasi ua preva pëlqerët e duarve e të këmbëve, mblidhnin dromca nën tryezën time. Siç bëra, ashtu ma ktheu Zoti mua”. E çuan në Jerusalem dhe atje vdiq.

8 Atëherë djemtë e Judës e sulmuan Jerusalemin dhe e morën. Banorët i prenë me shpatë e qytetin e dogjën.

9 Pastaj shkuan për të luftuar kundër Kananeut, që banonte në Malësi, në Nageb e në Sefelë. 10 Pastaj Juda shkoi kundër Kananeut që banonte në Hebron, që dikur quhej Kariatarbe dhe aty e mundi Sesain, Ahimanin e Tolmain. 11 Prej andej shkoi kundër banorëve të Dabirit, i cili dikur quhej Kariatsefer /d. m. th. Qyteti i Letrarëve/. 12 Atëherë Kalebi tha: “Kush ta godasë Kariatseferin dhe ta pushtojë, do t’ia jap Aksën, time bijë, për grua”. 13 Pasi e pushtoi Otonieli, biri i Cenezit, vëllai i vogël i Kalebit, ia dha Aksën, vajzën e vet, për grua.

14 Ajo, ndërsa po shkonte, e nxiti të kërkonte prej babait të vet një arë. Kështu, pra, zbriti prej gomarit e Kalebi i tha: “Çka ke”? 15 E ajo iu përgjigj: “Më bëj një nder. Pasi ma ke dhënë tokën e thatë, më jep edhe një tokë që të ketë ujë”. Kështu Kalebi i dha Burimet e Larta e Burimet e Poshtme.

16 Bijtë e Hobabit cineas, kunatit të Moisiut, u ngjitën prej qytetit të Palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që është në krahun e mesditës të Aradit. Ngulën aty me amalecitët.

17 Pastaj Juda u çua e shkoi me të vëllanë, Simonin, dhe së bashku i ranë Kananeut që banonte në Sefat, dhe e goditën qytetin me “mallkim.” Dhe iu ngjit emri Hormë /d. m. th. Mallkim/. 18 Juda e pushtoi Gazën me territoret e saj, Askalonin dhe Akaronin me territoret e tyre. 19 Zoti ishte me Judën e ai pushtoi edhe Malësitë. Por nuk mund t’i shpërngulte banorët e vërrisë, sepse kishin shumë karroca hekuri.

20 Kalebit ia dhanë Hebronin siç kishte urdhëruar Moisiu. E Kalebi i dëboi prej Hebronit tre bijtë e Enakut.

21 Bijtë e Beniaminit nuk e dëbuan Jebuseun prej Jerusalemit, e kështu Jebuseu banoi në Jerusalem bashkë me bijtë e Beniaminit deri në ditën e sotme.

Pushtimi i Betelit

22 Po edhe Shtëpia e Jozefit u nis për Betel, dhe Zoti qe me ta. 23 E njëmend, kur i bënë hetime qytetit ‑ ky më parë quhej Luzë, 24 vëzhguesit panë një njeri tek po dilte prej qytetit dhe i thanë: “Na e trego hyrjen në qytet dhe do të jemi të mëshirshëm me ty”. 25 Ai u tregoi nga mund të hynin në qytet. Të gjithë në qytet i prenë me shpatë, kurse atë njeri me mbarë farefisin e tij e lanë të shkonte. 26 Ky njeri shkoi në dheun e Hetimit dhe atje ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Luzë. Kështu quhet edhe sot e kësaj dite.

Fiset veriore

27 Kurse Manaseu nuk e pushtoi Betsanin as Tanakun me fshatrat e tyre. As nuk i dëboi banorët e Dorit, të Jeblaamit e të Magedos me fshatrat e tyre. Kështu kananenjtë qëndruan në atë vend. 28 Kur mori fuqi Izraeli, i ngarkoi me angari dhe nuk deshi t’i dëbojë prej vendit. 29 Po as Efraimi nuk i dëboi kananenjtë që banonin në Gazer, por kananenjtë banuan në mesin e tyre në Gazer.

30 As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Cetronit as të Naalolit, por Kananeu banoi në mesin e tyre dhe qe ngarkuar me angari.

31 Po ashtu as Aseri nuk i shpërnguli banorët e Akos, të Sidonit, të Ahalabit, të Ahazibit, të Helbës, të Afekut e të Rohobit. 32 Kështu Aseri banoi në mes të kananenjve, banorëve të atij vendi, sepse nuk i shpërnguli.

33 Neftaliu nuk i shpërnguli banorët e Betsamesit e të Betanatit dhe banoi ndër kananenj, banorët e vendit dhe betsamitët e betanitët u bënë skllevërit e tyre.

34 Amorrenjtë i shtytën bijtë e Danit në male dhe nuk i lanë të zbritnin në fushë.

35 Amorrenjtë vazhduan të jetojnë në Harhares, në Ajalon e në Salebim; porse dora e bijve të Jozefit u rëndua mbi ta dhe i ngarkuan me angari. 36 Territori i amorrenjve ishte prej Përpjetës Akrabim deri në Qeta e më lart.

Gjyqtarët: 2. Engjëlli i Zotit u paralajmëron izraelitëve të vështira

2

1 Engjëlli i Zotit erdhi prej Galgalës në Bokim e tha: “Ju nxora prej Egjiptit dhe ju solla në tokën për të cilën iu përbetova etërve tuaj se do t’ua jap. Kam pasë premtuar se nuk do ta prish besëlidhjen time me ju për amshim, 2 por me kusht që të mos lidhni marrëveshje me banorët e këtij vendi, por t’ua rrënoni lterët e tyre. Po ju nuk deshët të dëgjonit zërin tim. Pse vepruat kështu? 3 Për këtë arsye nuk desha t’i dëboj para fytyrës suaj që të jenë për ju lak e zotat e tyre shkatërrim”.

4 Ndërsa engjëlli i Zotit po i fliste këto fjalë para të gjithë bijve të Izraelit, ata e lartësuan zërin e vet dhe qanë. 5 Ai vend u quajt Bokim /d. m. th. Vendi i Vajtuesve/. Aty i kushtuan Zotit therore.

HYRJA E DYTË

VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM LIDHUR ME PERIUDHËN E GJYQTARËVE

Fundi i jetës së Jozuehut

6 Atëherë Jouzehu e nisi popullin të shkojë dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në pronën e vet për ta marrë në trashëgim tokën. 7 I shërbyen Zotit gjatë gjithë jetës së Jozuehut e të pleqve që jetuan një kohë të gjatë pas tij e që i kishin parë të gjitha veprat e mëdha të Zotit, që i kishte bërë për Izraelin. 8 Vdiq Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjeç, 9 dhe e varrosën në pronën e tij në Tamnatares, në malin e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas.

10 Po edhe mbarë ajo brezni u bashkua me etërit e vet dhe lindën të tjerë pas tyre që nuk e njihnin Zotin as veprën që kishte bërë për Izraelin.

Pabesnikëria dhe ndëshkimi i brezave të pastajmë

11 Atëherë bijtë e Izraelit bënë ç’është e keqe para syve të Zotit e u shërbyen baalëve 12 dhe e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit. Shkuan pas zotëve të huaj, pas zotëve të popujve që banojnë përreth tyre, i adhuruan ata dhe bënë të hidhërohet Zoti 13 duke e lënë atë e duke i shërbyer Baalit e Astarotit. 14 Zoti u hidhërua dhe i lëshoi në duart e cubave që i plaçkitën. Ua shiti armiqve të tyre që banonin përreth dhe nuk qenë të zotët t’u qëndrojnë përballë armiqve të vet. 15 Ngado donin t’ia mbanin, dora e Zotit ishte mbi ta për të zezën e tyre, siç u kishte thënë dhe u ishte përbetuar. Ishin s’ka si më zi.

Gjyqtarët. Nuk ka kthim të qëndrueshëm

16 Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t’i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin. 17 Por izraelitët nuk donin t’i dëgjonin as ata, lavirësonin me hyjni të huaja dhe i adhuronin ato. Shpejt e lanë rrugën nëpër të cilën ecën etërit e tyre që i mbanin urdhërimet e Zotit. Këta bënë gjithçka në kundërshtim. 18 Kur Zoti u ngrinte gjyqtarët, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte prej dorës së armiqëve të tyre gjatë tërë kohës së gjyqtarit, sepse Zoti prekej në zemër dhe i dëgjonte rënkimet e të ndrydhurve. 19 Por, porsa vdiste gjyqtari, ata pësëri binin në paudhësi edhe më të liga e bënin edhe më keq seç kishin bërë etërit e tyre, duke i ndjekur hyjnitë e huaja, duke u shërbyer atyre e duke i adhuruar: nuk iu shmangën veprave të veta as udhës së vet të mbrapshtë, nëpër të cilën e kishin bërë zakon të ecnin.

Arsyet pse qëndruan ndër ta disa kombësi të huaja

20 Flakë atëherë u ndez hidhërimi i Zotit kundër Izraelit e tha: “Pasi ky popull e shkeli Besëlidhjen time, që e kisha lidhur me etërit e tyre, dhe përbuzën ta dëgjojnë zërin tim, 21 as unë nuk do t’i shpërngul popujt që i la Jozuehu pasi vdiq 22 me qëllim që t’i vë në provë izraelitët me anë të tyre nëse do ta ruajnë udhën e Zotit e do të ecin nëpër të, siç e ruajtën etërit e tyre, ose jo”.

23 Kjo pra, ishte arsyeja që Zoti i la këta popuj e nuk i dëboi me të shpejtë, as nuk i lëshoi në duar të Jozuehut.

Gjyqtarët: 3. Popujt që mbijetuan

3

1 Këta janë popujt që Zoti la pa i zhdukur për të mësuar izraelitët, të gjithë ata që nuk i sprovuan luftërat e kanaanëve. 2 Qëllimi ishte që të mësonin të luftonin me armiq bijtë e Izraelit ‑ brezat që nuk e kishin sprovuar mjeshtërinë e luftës ‑:

3 mbetën pesë princa filistenj, të gjithë kananenjtë, sidonasit, e hevenjtë, që banonin në malet e Libanit prej malit Baalhermon deri në hyrje të Ematit. 4 Bëri kështu për t’i vënë në provë izraelitët nëse do t’i dëgjojnë urdhërimet e Zotit që u kishte urdhëruar etërve të tyre me anë të Moisiut apo s’do t’i dëgjojnë. 5 Kështu bijtë e Izraelit jetuan së bashku me kananenj, hetenj, amorrenj, ferezenj, hevenj e jebusenj, 6 i morën për gra bijat e tyre, po edhe ata u dhanë për gra atyre bijat e veta dhe u shërbyen zotëve të tyre.

HISTORIA E GJYQTARËVE

1. OTONIELI

7 Izraelitët bënë të keqen ndër sy të Zotit: e harruan Zotin, Hyjin e vet, e i shërbyen Baalit dhe Astarotit. 8 Zoti u hidhërua në Izraelin dhe i lëshoi në dorë të Kusanrasataimit, mbretit të Mesopotamisë, dhe i shërbyen atij për tetë vjet.

9 Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai u ngriti shpëtimtarin që i çliroi, Otonielin, d. m. th. birin e Cenezit, vëllanë e vogël të Kalebit. 10 Shpirti i Zotit qe në të dhe u bë gjyqtar i Izraelit. Ai nisi luftën dhe Zoti në dorën e tij lëshoi Kusanrasataimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe ngadhë -njeu mbi të.

11 Vendi pati paqe për dyzet vjet.

2. AODI

Pasi vdiq Otonieli, biri i Cerezit, 12 izraelitët filluan përsëri të bëjnë të keqen ndër sy të Zotit. Zoti i dha fuqi kundër tyre Eglonit, mbretit të Moabit, sepse bënë të keqen para syve të Zotit. 13 Egloni u bashkua me bijtë e Amonit e të Amalekut, e sulmoi dhe e mundi Izraelin dhe e pushtoi qytetin e Palmave. 14 Bijtë e Izraelit i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, tetëmbëdhjëtë vjet.

15 Atëherë izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit e Zoti u ngriti shpëtimtarin, Aodin, birin e Gerës, prej Beniaminit, që përdoronte të majtën në vend të së djathtës. Izraelitët e dërguan atë t’ia çonte tatimet Eglonit, mbretit të Moabit. 16 Aodi punoi për vete një thikë me dy tehe, të gjatë një pëllëmbë dore dhe e ngjeshi nën petka, në ijë të djathtë 17 dhe ia çoi tatimet Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i majmë. 18 Pasi ia dorëzoi tatimet, i nisi të shkojnë shokët që i kishin mbartur 19 dhe u kthye prej Galgalës, ku ishin idhujt, e i tha mbretit: “Kam për të të thënë një fjalë në vesh, o mbret”. Mbreti urdhëroi heshtjen. Ata që ishin përreth, shkuan. 20 Aodi kishte hyrë tek ai i cili po rrinte në dhomën e freskët verore që ishte vetëm për të, dhe i tha: “Kam për të të thënë fjalën e Hyjit”. Ky u ngrit vrik prej fronit. 21 Atëherë Aodi e shtriu dorën e majtë dhe nxori thikën prej ijës së djathtë të vet dhe ia nguli në bark 22 aq rreptë, saqë edhe dorëza u fut krejtësisht në plagë dhe e shtrëngoi dhjami i majmë. Dhe as që e nxorri thikën, por, ashtu siç e goditi, ia la në trup. Vrik prej varrës i doli uti. 23 Aodi doli në ja, mbylli pas vetes derën e dhomës, i vuri shulin. 24 Pasi doli Aodi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe, pasi panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura, thanë: “Me siguri do të ketë dalë për vehte në dhomën e freskët”. 25 Pritën gjatë derisa filluan të shqetësohen e, kur panë se nuk po e hapte derën, morën çelësin dhe, kur e hapën, patën ç’të shihnin: zotëriu i shtrirë përtokë i vdekur!

26 E, ndërsa ata po prisnin, Aodi kishte ikur, i kaloi Idhujt, nga ishte kthyer, dhe arriti në Seirë. 27 Posa arriti, doli në malin e Efraimit e i ra borisë. Bashkë me të zbritën izraelitët. Ai u shkonte gjithkund në ballë. 28 Ai u tha: “Ejani pas meje, sepse Zoti jua lëshoi armiqtë tuaj moabitët në duart tuaja!” Zbritën bashkë me të dhe i zunë vatë e kalimit të Jordanit për në Moab dhe nuk lanë të kalojë askush. 29 Me atë rast i vranë rreth dhjetë mijë moabitë, njëri më burrë i fortë se tjetri. Asnjë prej tyre nuk mundi t’u shpëtojë. 30 Qe përulur atë ditë Moabi nën dorën e Izraelit dhe vendi pati qetësi për tetëdhjetë vjet.

3. SAMGARI

31 Pas këtij qe Samgari, biri i Anatit, i cili me një hosten qesh i vrau gjashtëqind burra filistenj. Kështu edhe ky i shpëtoi izraelitët.

Gjyqtarët: 4. Debora e baraku

4

1 Rifilluan, pra, bijtë e Izrealit të bëjnë të keqen para syve të Zotit pas vdekjes së Aodit. 2 Zoti i lëshoi në duar të Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Asor. Për prijës të ushtrisë së vet kishte Sisarën i cili jetonte në Harosetin Pagan.

3 Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit. E Jabini kishte nëntëqind karroca hekuri dhe për njëzet vjet i ndrydhte pa mëshirë izraelitët.

Debora

4 Asokohe ishte në Izrael gjyqtare një grua, profetesha Deborë, gruaja e Lapidotit. 5 Ajo rrinte nën Palmën e Deborës ndërmjet Ramës e Betelit, në Malësinë e Efraimit. Tek ajo shkonin izraelitët për çështje pleqërie. 6 Ajo çoi të thërrasë Barakun, birin e Abinoemit prej Cedesit të Neftaliut, dhe i tha: “Të ka urdhëruar Zoti, Hyji i Izraelit: Shko e sille ushtrinë në malin e Taborit. Merri me vete dhjetë mijë luftëtarë prej bijve të Neftaliut e bijve të Zabulonit. 7 Unë do ta dërgoj kundër teje, në vendin e përroit Cison, Sisarën, prijësin e ushtrisë së Jabinit, karrocat e tija dhe mbarë aradhet e tija dhe do ta lëshoj në duart tua.” 8 Baraku iu përgjigj: “Nëse vjen ti me mua, shkoj; po s’erdhe ti me mua, unë nuk do të nisem”.

9 Ajo i tha: “Do të vij, po, me ty; por kësaj here nderi nuk do të mbesë ty! Sepse Zoti do t’a lëshojë Sisarën në dorën e një gruaje”.

U ngrit, pra, Debora dhe shkoi me Barakun në Cedes. 10 Baraku i thirri Zabulonajt e Neftaliajt në Cedes dhe u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me të ishte edhe Debora.

Haberi Cineas

11 Haberi cineas ishte ndarë prej cineasish të tjerë vëllezër, bijtë e Hobabit, kunatit të Moisiut dhe e kishte ngulur tendën tek Qarri i Saananimit, përbri Cedesit.

Shpartallimi i Sisarës

12 Edhe Sisarën e lajmëruan se kishte dalë në malin Tabor Baraku, i biri Abinoemit.

13 Sisara i bashkoi të gjitha nëntëqind karrocat e hekurta dhe mbarë ushtrinë që ishte me të që prej Harosetit Pagan deri në përruan Cison.

14 Debora i tha Barakut: “Ngrihu: erdhi dita kur Zoti po ta lëshon në dorë Sisarën! Ja, vetë Zoti po të prin”!

Zbriti, pra, Baraku prej malit të Taborit e me të edhe dhjetë mijë luftëtarët. 15 E Zoti ia futi frikën Sisarës, mbarë karrocave dhe ushtrisë së tij prej shpatës së Barakut, aq sa Sisara zbriti prej karroce e iku këmbë, 16 e Baraku i ndoqi karrocat e mbarë ushtrinë deri në Harosetin Pagan dhe mbarë ushtria qe prerë deri në shfarosje.

Vdekja e Sisarës

17 Duke ikur Sisara arriti në çadrat e Jahelës, gruas së Haberit cineas; Jabini, mbreti i Asorit, ishte në paqe me shtëpinë e Haberit cineas. 18 Jahela i doli para Sisarës e i tha: “Hyr tek unë, imzot! Hyr e mos u tremb”! Ai hyri në çadër dhe ajo i qiti sipër një mbulojë. 19 Sisara i tha: “Të lutem, më jep pak ujë se jam etshëm”. Ajo e çeli rrëshiqin dhe i dha të pijë qumësht, pastaj e mbuloi. 20 Sisara i tha: “Qëndro para derës së tendës e, nëse vjen ndokush e të pyet e të thotë: ‘A mos është kush këtu?’ përgjigjju: ‘Askush’”.

21 Jahela, gruaja e Haberit, mori një kunj çadre po ashtu edhe një çekiç, hyri brenda fshehtas e në heshtje, ia vuri kunjin në tëmthin e kresë së tij, i solli me çekiç dhe ia nguli tejpërtej në tru, saqë kunji u ngul në dhe. Sisara duke e shoqëruar gjumin me vdekje, vdiq. 22 Dhe, ja, po vinte Baraku duke ndjekur Sisarën. Jahela i doli përpara e i tha: “Eja e do të ta tregoj njeriun që kërkon”. Baraku, kur hyri, e pa Sisarën të shtrirë vdekur me kunj të ngulur në tëmth.

Çlirimi i Izraelit

23 E përuli, pra, Hyji atë ditë Jabinin, mbretin e Kanaanit, para bijve të Izraelit.

24 Izraelitët forcoheshin dita‑ditës dhe dora e tyre gjithnjë e më fort rëndonte mbi Jabinin, mbretin e Kanaanit, derisa ia humbën farën.

Gjyqtarët: 5. Kënga e Deborës dhe e Barakut

5

1 Po atë ditë Debora e Baraku i Abinoemit kënduan këtë këngë:

2 “Pasi u tundën flokët në Izrael,

e populli vullnetarisht çau në luftë:

bekojeni Zotin!

3 Dëgjoni, o mbretër, dëgjoni, o princa:

unë jam, unë, që do t’i këndoj

himne Zotit, Hyjit të Izraelit!

4 Ti, o Zot, kur dilje prej Seirit,

kur ecje prej krahinës së Edomit:

u trand toka, qiejt riguan,

retë me rrëke ujë derdhën!

5 U shembën malet para fytyrës së Zotit të Sinait,

para fytyrës së Zotit, Hyjit të Izraelit!

6 Në ditët e Samgarit, birit të Anatit,

në ditët e Jahelës shkretë mbetën udhët:

edhe kush i rrihte,

shkëmbinjve ecte rrugë pa rrugë!

7 Munguan të fortit në Izrael, pushuan,

derisa u ngrite ti, o Deborë,

derisa u ngrite, o Nënë e Izraelit!

8 Zgjodhën zotë të rinj:

atëherë lufta ishte tek dera!

S’u duk askund shqyt as heshtë

në dyzet mijë ushtarë izraelitë.

9 Zemra ime i do prijësit e Izraelit,

ju prej popullit që vullnetarisht shkuat në luftë:

bekojeni Zotin!

10 Ju që kaluar shkoni mbi gomarë të bardhë,

ndenjur përmbi tapeta

dhe udhës shëtitni, folni!

11 Bashkohuni me zërat e atyre

që e ndajnë ujin lugjeve:

aty shpallin veprat e Zotit,

veprat e tij, në sundimin e Izraelit:

dhe populli i Zotit zbriti te dera.

12 Ngrihu, ngrihu, o Deborë,

ngrihu, ngrihu e thuaja këngës!

Çohu, Barak! Robëroji robëruesit e tu,

o biri i Abinoemit!

13 Atëherë mbeturinat zbritën ndër fisnikë,

populli i Zotit zbriti për të si hero.

14 Prej Efraimit erdhën princat në vërri,

pas teje, o Beniamin, në togat e tua.

Prej Mahirit zbritën princat,

prej Zabulonit ata që mbartin shkopin e sundimit.

15 Prijësit e Isaharit qenë me Deborën;

e Baraku pas me këmbësori në vërri,

në fisin e Rubenit merren vendime të mëdha!

16 Pse u ndale ndër stane?

A për të dëgjuar tingujt e fyellit?

Në fisin e Rubenit bëhen hetime të mëdha!

17 Galaadi përtej Jordanit pushonte.

E Dani pse endej anijeve të huaja?

Aseri banonte në bregun e detit

dhe në porte moti i shkonte.

18 Kurse Zabuloni vuri në rrezik jetën

ashtu si dhe Neftaliu në bjeshkët e larta

vdekjen duke përbuzur!

19 Erdhën mbretërit e luftuan,

luftuan mbretërit e Kanaanit

në Tanak, bri ujërave Magedo,

por pre argjendi nuk morën me vete!

20 Prej qiellit yjet luftuan,

me lëvizjen e vet kundër Sisarës luftuan.

21 Përroi Cison kufomat ua mbarti!

Përrua betejash përroi Cison!

Shkele pa frikë, shpirti im!

22 Atëherë e shkelën thundërzat e kuajve

me vrapim të kalorësve trima!

23 Mallkojeni Merozin, tha engjëlli i Zotit,

mallkoni banorët e tij,

pse nuk erdhën në ndihmë të Zotit,

në ndihmë të Zotit me trimat e trimave!

24 Ndër gra bekuar qoftë Jahela, gruaja e Haber Cineut!

Ndër gra që nën tenda jetojnë,

bekuar qoftë!

25 Ujë i kërkoi, ajo qumësht i dha,

me gotë princash ajo mazë i dha.

26 Me të majtën kunjin kapi,

kurse në të djathtën çekanin e farkëtarit:

e goditi Sisarën mu në tëmthin e kokës,

tejpërtej tëmthin duke i shporuar.

27 Te këmbët u rrëzua, ra, mbeti shtrirë;

te këmbët ra, u rrëzua:

e ku u rrëzua, aty pa shpirt mbeti!

28 Prej dritares vëren nëna e Sisarës,

vëren për hekura të dritares, e shqetësuar ankohet:

“Pse vonon të kthehet karroca e tij?

Përse vonojnë ja katërshe të tijat”?

29 Njëra nga më të mençurat gra iu përgjigj;

e ajo vetvetes ia përsërit fjalët e saj:

30 “S’ka dyshim tani po ndajnë prenë:

nga një vajzë për çdo luftëtar,

nga një vajzë edhe nga dy;

dy palë petka ngjyre të ndryshme

si pjesë preje të Sisarës:

një... o dy riza të larme

qafës sime i bien për stoli... ”.

31 Të tillë e paçin fundin e jetës

të gjithë armiqtë e tu, o Zot!

Kurse ata që Zotin duan,

qofshin të ndritshëm porsi dielli,

kur ndriçon në shkëlqimin e vet”!

32 Atëherë në vend mbretëroi qetësia për dyzet vjet.

Gjyqtarët: 6. Izraeli i ndrydhur prej madianëve

6

1 Prapë bijtë e Izraelit bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Zoti i lëshoi në duar të madianëve për shtatë vjet. 2 Dora e madianëve erdhi gjithnjë duke u rënduar mbi izraelitët. Izraelitët prej frikës së tyre jetonin shpellave të maleve e në vende të papërshkueshme. 3 Kur izraelitët mbillnin, vinin madianët, amalekët e të tjerë të popujve të lindjes, 4 i ngulnin çadrat e veta ndër ta, dhe siç ishin në kullota, rrënonin gjithçka deri në hyrje në Gazë dhe nuk linin në Izrael asgjë që nevojitet për jetesë, as dele, as lopë, as gomarë. 5 Sepse vinin me çadra me bagëtitë e tyre me shumicë të madhe si karkalecat dhe mbulonin gjithçka shumica e madhe e njerëzve dhe e deveve, kështu që çkado preknin, shkretëtonin.

6 Kështu Izraeli ra në mjerim tejet të madh për shkak të madianëve.

Ndërmjetësimi i një profeti

7 Izraeli i lëshoi kushtrimin Zotit dhe i kërkoi ndihmë kundër madianëve. 8 Zoti u dërgoi një profet, i cili tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Unë ju kam bërë të dilni prej Egjiptit, unë ju nxora nga shtëpia e skllavërisë, 9 unë ju lirova prej duarve të egjiptianëve e prej të gjithë armiqëve që ju mundonin. Kur arritët ju, unë i dëbova ata para jush dhe tokën e tyre jua dhashë juve. 10 Atëherë ju thashë: ‘Unë jam Zoti, Hyji juaj, mos i nderoni zotët e amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Por ju nuk deshët ta dëgjonit zërin tim’”.

Të dukurit e engjëllit të Zotit Gjedeonit

11 Erdhi engjëlli i Zotit e ndenji nën qarrin që ishte në Efër dhe që ishte i Joasit, prej barkut të Abiezerit. Ndërsa Gjedeoni, biri i tij, po fshinte me shqupi dhe po pastronte grurin për ta fshehur prej madianëve, 12 iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Zoti me ty, o burrë i fortë”! 13 Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, Imzot; nëse Zoti është me ne, pse na gjetën të gjitha këto të zeza? Ku janë të gjitha ato mrekullitë e tija, për të cilat na folën etërit tanë e na thanë: ‘Zoti na nxori nga Egjipti!?’ Por tani Zoti na la e na lëshoi në duart e Madianit”. 14 Zoti ia nguli sytë dhe i tha: “Me atë fuqi që ke shko dhe çliroje Izraelin prej dorës së Madianit! Dije se unë të dërgova”!

15 Por Gjedeoni iu përgjigj: “Më fal, o Zot, po si do ta çliroj Izraelin? Ja, barku im është më i vogël në Manasé e unë më i vogli në shtëpinë e tim eti”! 16 E Zoti i tha: “Unë do të jem me ty. Ti do ta shfarosësh Madianin si të ishte një njeri i vetëm”. 17 Gjedeoni vijoi: “Nëse vërtet gjeta hir para teje, më jep një shenjë që je Ti që po flet me mua. 18 Mos u largo prej këndej para se të kthehem e të të sjell një dhuratë për ta kushtuar”. Ai iu përgjigj: “Do të të pres derisa të kthehesh”.

19 Gjedeoni hyri në shtëpi, përgatiti një edh dhe një ef miell bukë ndore. Mishin e qiti në shportë e lëngun e mishit në vorbë, i solli të gjitha nën qarr dhe ia shtroi përpara.

20 Atëherë engjëlli i Hyjit i tha: “Merre mishin dhe bukët ndore e vëri në atë gur dhe hidh mbi ta lëngun e mishit”. Kur ai bëri ashtu, 21 engjëlli preku me majë të shkopit që kishte në dorë mishin dhe bukët ndore. Shpërtheu zjarri prej qetës dhe përpiu mishin e bukët e pabrumë. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk prej syve të tij. 22 Kur pa Gjedeoni se kishte qenë engjëlli i Zotit, tha: “Heu! Keq për mua, o Zot Perëndi! Po unë e pashë engjëllin e Zotit faqe‑faqas”!

23 Por Zoti i tha: “Paqja me ty! Mos u tremb! Jo, nuk do të vdesësh”.

24 Gjedeoni në atë vend ndërtoi një lter për nder të Zotit dhe e quajti: “Zoti ‑ Paqe”.

Edhe sot e kësaj dite gjendet në Efër të bijve të Abiezerit.

Gjedeoni kundër Baalit

25 Po atë natë Zoti i tha: “Merre mëzatin e tyt eti, po edhe një tjetër, shtatë vjeç; rrënoje lterin e Baalit, që i përket tyt eti, po edhe banirin që është përgjatë lterit, preje.

26 Atëherë ndërto për nder të Zotit, Hyjit tënd, bukur e mirë një lter në majë të këtij shkëmbi. Merre pastaj mëzatin e dytë dhe kushtoje fli shkrumbimi mbi turrën e druve të banirit që do të presësh”.

27 Andaj Gjedeoni i mori dhjetë burra prej shërbëtorëve të vet dhe bëri siç i kishte urdhëruar Zoti. Por, prej frikës së familjes së vet e të njerëzve të atij qyteti, këtë s’e bëri ditën, por të gjitha i kreu natën.

28 Kur, atë mëngjes u ngritën njerëzit e atij qyteti, panë se lteri i Baalit ishte i rrënuar, ishte i prerë edhe baniri dhe ishte i kushtuar mëzati në lterin që atëherë ishte ndërtuar. 29 I thoshin njëri‑tjetrit: “Kush e bëri këtë”? Pasi bënë hetime rreth atij që e kishte bërë këtë punë, u tha: “Gjedeoni, biri i Joasit, i bëri të gjitha këto”. 30 I thanë Joasit: “Qite djalin tënd ta vrasim se ai e rrënoi lterin e Baalit dhe e preu banirin”. 31 Joasi iu përgjigj të gjithë atyre që e rrethonin: “Pse, a doni të luftoni në vend të Baalit për ta shpëtuar? Kush të luftojë për Baalin, do të vdesë deri në mëngjes. Nëse është Hyj, le të luftojë për vetvete kundër atij që ia rrënoi lterin”. 32 Prej asaj dite Gjedeoni u quajt Jerobbaal, sepse u thoshte: “Le të luftojë kundër tij Baali sepse ai i rrënoi lterin”.

Thirrja nën armë

33 Kështu, pra, mbarë Madiani, Amaleku dhe popujt e Lindjes u bënë së bashku, kaluan Jordanin dhe ngulën fushimin në luginën e Jezraelit. 34 Shpirti i Zotit e pushtoi Gjedeonin, i cili i ra borisë dhe e grishi barkun e Abiezerit që të shkonte pas tij. 35 Dërgoi kasnecë në mbarë Manaseun. Edhe këta të gjithë e ndoqën. Dërgoi edhe lajmëtarë të tjerë në Aser, në Zabulon e në Neftali, dhe të gjithë ngarendën tek ai.

Prova e bashkës

36 Atëherë Gjedeoni i tha Hyjit: “Nëse do ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë, 37 do të vë bashkën e leshit në lëmë: nëse bie vesa vetëm në bashkë, ndërsa mbarë toka gjetiu mbetet e thatë, do ta di se me të vërtetë, përmes dorës sime do ta shpëtosh Izraelin siç the”. 38 Ashtu edhe u bë. Gjedeoni u çua herët në mëngjes, e shtrydhi bashkën: një kupë plot me vesë. 39 Përsëri i tha Hyjit: “Të mos ndizet flakë hidhërimi yt kundër meje, nëse edhe një herë po marr guxim të kërkoj shenjën në bashkë. Të lutem: le të jetë vetëm bashka e thatë, ndërsa mbarë toka të ketë vesë”.

40 Sikur kishte kërkuar ky, ashtu bëri Hyji atë natë: e thatë ishte vetëm bashka, ndërsa mbi mbarë tokën kishte rënë vesa.

B. Fushata e Gjedeonit në perëndim të Jordanit

Gjyqtarët: 7. Zoti zvogëlon numrin e ushtrisë së Gjedeonit

7

1 Jerobaali, d. m. th. Gjedeoni mërgoi dhe me të mbarë populli dhe e nguli fushimin te burimi që quhet Harad. Taborret e Madianit ishin në luginë, në krahun verior të kodrës Moreh.

2 Zoti i tha Gjedeonit: “Ke tepër shumë popull me ty që të mund të lëshoj Madianin në duart e tija, sepse Izraeli mund të lëvdohet e të thotë: ‘Me forcat e mia u çlirova!’ 3 Fol me popullin dhe shpall aty ku mund të të dëgjojnë të gjithë: ‘Kush trembet dhe është frikacak, le të kthehet e le të kalojë nëpër malin Gjelboé’. Prej popullit u kthyen njëzet e dy mijë burra. Mbetën vetëm dhjetë mijë vetë.

4 Por Zoti i tha Gjedeonit: “Prapë ka shumë popull. Çoji tek uji dhe aty do t’i vë në provë. Ai për të cilin do të të them unë të vijë me ty, le të vijë; atij që t’ia ndaloj të vijë, le të kthehet”. 5 Gjedeoni e çoi popullin tek uji, e Zoti i tha: “Cilindo që të llapë ujin me gjuhë, siç e kanë zakon të llapin qentë, ndaje veçmas; kurse ata që të pinë duke u ulur në gjunjë, qiti në anën tjetër. 6 Ata që me dorë e afruan te goja ujin dhe e llapën, qenë treqind vetë, kurse mbarë populli tjetër u ul në gjunjë dhe piu.

7 Atëherë Zoti i tha Gjedeonit: “Me treqind vetët që llapën ujin, do t’ju çliroj dhe do ta lëshoj Madianin në dorën tënde. Mbarë njerëzit e tjerë le të kthehet në vendin e vet”.

8 Pasi mori, sipas numrit të njerëzve, ushqimet dhe boritë, mbarë pjesës tjetër të popullit i urdhëroi të kthehej në çadrat e veta. Me vete ndali vetëm ata treqind vetë.

Fushimi i madianëve ishte nën të, në luginë.

Parashenja e fitores

9 Po këtë natë Zoti i tha Gjedeonit: “Çohu e zbrit në fushim, sepse i kam lëshuar në duart e tua. 10 Nëse ke ndopak frikë, le të zbresë me ty Fara, shërbëtori yt. 11 Kur të dëgjosh çfarë flasin, atëherë do të marrësh guxim dhe do të zbresësh më me siguri në fushimin e armiqve”. Zbriti pra, me Farën, shërbëtorin e vet, deri në pararojën e fushimit, ku ishin rojet e ushtrisë. 12 Madianët, amalekasit dhe të gjithë popujt e Lindjes ishin përhapur në luginë dhe e kishin mbuluar atë si turmë karkalecash; po ashtu edhe devetë ishin të panumërta si rëra brigjeve të detit.

13 Kur arriti Gjedeoni, një ushtar po i tregonte shokut ëndrrën. Ai thoshte: “Ja, pashë një ëndërr. Më dukej se një bukë elbi e pjekur në hi po rrokollisej e po zbriste në fushimin e madianëve. Kur arriti te tenda, e goditi, e rrëzoi dhe e bëri rrafsh me tokë”. 14 Ai, të cilit po i fliste, iu përgjigj: “Kjo s’është tjetër veçse shpata e Gjedeonit, birit të Joasit, trimit izraelas. Hyji i dorëzoi në duart e tija madianët e mbarë fushimin e tyre”.

15 Kur e dëgjoi Gjedeoni ëndrrën dhe shtjellimin e saj, ra me fytyrë përdhe në adhurim dhe, me të kthyer në fushimin e Izraelit, urdhëroi: “Çohuni, se Zoti e lëshoi në duart tuaja fushimin e madianëve”.

Sulmi i papritur

16 Gjedeoni i ndau treqind luftëtarët në tri grupe. Secilit i dha në dorë borinë, poçin e zbrazët dhe në poç dritëzën 17 e u tha: “Çfarë të shihni se bëj unë, bëni edhe ju. Unë do t’i afrohem brezit të fushimit dhe, çfarë të bëj unë ashtu bëni edhe ju. 18 Kur të bjerë boria në dorën time e të të gjithëve që janë me mua, atëherë edhe ju rreth e rreth fushimit bjeruni borive dhe lëshoni kushtrimin e luftës: “Për Zotin e për Gjedeonin”!

19 Gjedeoni e treqind burrat që ishin me të, arritën buzë rrethit të fushimit atëherë kur po ndërrohej roja e mesnatës.

Porsa i ndërruan rojet, ata u ranë borive e i thyen poçet që i kishin në dorë. 20 Kur jehuan boritë e tri togave dhe, pasi i thyen poçet e i morën në dorën e majtë dritëzat e në dorën e djathtë boritë, bërtitën: “Shpata për Zotin e për Gjedeonin”! 21 dhe secili qëndroi në vendin e vet rreth fushimit të armikut. Mbarë taborri u pështjellua dhe madianët, duke uluritur, u vunë në të ikur.

22 Ndërsa treqind vetët vazhdonin t’u binin borive, Zoti bëri që të gjithë madianët të ngrinin shpatën kundër njëri‑tjetrit e të vrisnin njëri‑tjetrin 23 dhe iu dhanë ikjes deri në Betsetë, në Saredë, deri në bregun e Abelmehulës në Tebat.

Ndjekja

Atëherë u thirrën burrat e Izraelit, të fisit të Neftaliut, të Aserit e të mbarë Manaseut dhe, të bashkuar, i ndoqën madianët. 24 Gjedeoni dërgoi kasnecë në mbarë malësinë e Efraimit me këtë porosi: “Zbritni kundër madianëve e zini kalimet që prej Betberës deri në Jordan. Të gjithë efraimasit zbritën para tyre dhe i zunë kalimet e Jordanit deri në Betberë. 25 I zunë edhe dy princa të Madianit: Orebin e Zebin. Orebin e prenë në Qetën Oreb, ndërsa Zebin në Shtrydhësin Zeb. Madianët i ndoqën, kurse krerët e Orebit e të Zebit ia sollën Gjedeonit përtej Jordanit.

Gjyqtarët: 8. Smira e efraimëve

8

1 Burrat e fisit të Efraimit i thanë Gjedeonit: “Çka pate me ne që nuk na thirre kur u nise në luftë kundër madianëve?”, duke u grindur me të për t’u ngatërruar. 2 Gjedeoni u përgjigj: “Po ç’bëra unë po ta krahasojmë me sa keni bërë ju? Pse a nuk është bubërrimi i efraimasve më i mirë sesa vjelja e Abiezerit? 3 Zoti i lëshoi në duar tuaja princat e Madianit, Orebin e Zebin. Po ç’kam mundur të bëj unë që të krahasohet me sa bëtë ju”? Posa i tha këto fjalë, u qetësua zemra e tyre e fryrë që ngufaste kundër tij.

C. Fushata e Gjedeonit në Transjordani dhe mbarimi i Gjedeonit

Gjedeoni e ndjek armikun përtej Jordanit

4 Kur arriti Gjedeoni në Jordan, e kaloi atë me treqind luftëtarët që ishin me të, por nga lodhja mezi mundi t’i ndjekë të ikurit. 5

Atëherë u tha njerëzve të Sukotit: “Jepuni njerëzve që janë me mua, ju lutem, bukë, se janë lodhur e këputur, e unë po ndjek Zebeun e Salmanën, mbretërit e Madianit”. 6 Krerët e Sukotit iu përgjigjën: “Pse mos i ke ndoshta të lidhur për litari në dorën tënde Zebeun e Salmanën që t’u japim bukë ushtarëve të tu?!” 7 Atëherë ai u tha: “Pra, kur të m’i lëshojë Zoti në duart e mia Zebeun e Salmanën, do t’jua shprish mishin tuaj me murriz e ferra të shkretëtirës!” 8 Prej andej shkoi në Fanuel e u tha kështu edhe njerëzve të atij vendi. Por edhe ata iu përgjigjën siç i ishin përgjigjur ata të Sukotit. 9 Prandaj edhe atyre u tha: “Këtë kullë do ta rrënoj kur të kthehem shëndoshë e mirë!”.

Shpartallimi i Zebeut e i Salmanës

10 Zebeu e Salmana ishin ndalur për të pushuar në Karkar me mbarë ushtrinë e tyre. Kishin rreth pesëmbëdhjetë mijë njerëz që u kishin mbetur prej të gjitha ushtrive të popujve të Lindjes. Ishin vrarë njëqind e njëzet mijë luftëtarë. 11 Gjedeoni u ngjit udhës së endacakëve në anën e lindjes të Nobesë e të Jegbasë dhe i sulmoi llogoret e armikut papritmas ndërsa ata e mbanin veten të sigurtë e s’prisnin kurrfarë rreziku. 12 Zebeu e Salmana u vunë në ikje. Gjedeoni iu vu në shpinë, i kapi dy mbretërit e Madianit, Zebeun e Salmanën, dhe ua shpartalloi mbarë ushtrinë.

Hakmarrja e Gjedeonit

13 Ndërsa Gjedeoni, biri i Joasit, po kthehej prej luftës përpjetës së Haresit, 14 e kapi një djalosh prej njerëzve të Sukotit dhe ia kërkoi emrat e princave e të pleqve të Sukotit. Ai ia dha me shkrim emrat e shtatëdhjetë e shtatë vetëve.

15 Gjedeoni erdhi te sukotasit dhe u tha: “Ja, pra, Zebeu e Salmana, për të cilët më keni vënë në lojë kur më thatë: ‘Pse, a mos i ke ndoshta të lidhur për litari në dorën tënde Zebeun e Salmanën, që t’u japim bukë ushtarëve të tu të lodhur?’”. 16 I kapi krerët e Sukotit e mori edhe ferra e murriza të shkretëtirës dhe i shprishi me ta burrat e Sukotit. 17 Po ashtu rrënoi kullën e Fanuelit e i vrau qytetarët.

18 Atëherë u tha Zebeut e Salmanës: “Si ishin njerëzit që i vratë në Tabor?” Ata iu përgjigjën: “Ishin të ngjashëm me ty: secili prej tyre si të ishte djalë mbreti”. 19 U tha: “Kanë qenë vëllezërit e mi: bijtë e nënës sime. Pasha Zotin e gjallë, po t’i kishit kursyer, tani nuk do t’ju vrisja”! 20 Atëherë i tha të parëlindurit të vet, Jeterit: “Çohu e preji!”. Por ai nuk e nxori shpatën; trembej, sepse ende ishte fëmijë. 21 Zebeu e Salmana i thanë: “Çohu ti e sulu mbi ne, sepse sipas moshës është edhe trimëria e njeriut.” U ngrit Gjedeoni e i preu Zebeun e Salmanën dhe mori hënëzat që stolisnin qafat e deveve të tyre.

Gjedeoni. Fundi i jetës së tij

22 Atëherë izraelitët i thanë Gjedeonit: “Ji sundimtari ynë ti, djali yt e djali i djalit tënd, sepse na çlirove prej dorës së Madianit”. 23 Ai iu përgjigj: “Unë nuk do të jem sundimtari juaj, as nuk do të jetë sundimtari juaj im bir, por Zoti do të jetë sundimtar”. 24 E vazhdoi: “Prej jush kërkoj vetëm një gjë: të më japë secili nga një unazë prej presë së vet”. Sepse ismaelitët e kishin zakon të mbanin unaza ari. 25 Ata iu përgjigjën: “Po t’i japim me gjithë qejf”! E shtrinë mbi tokë leshnikun dhe qitën mbi të secili nga një unazë prej presë së vet. 26 Pesha e unazave të kërkuara ishte një mijë e shtatëqind sikla ari, pa llogaritur hënëzat, vathët dhe veshjet e purpurta që i mbanin mbretërit e Madianit e pa numëruar vargjet e deveve.

27 Prej tyre Gjedeoni punoi një efod dhe e vendosi në qytetin e vet Efër. Mbarë Izraeli ra në lavirësi për shkak të tij dhe u bë shkak rrënimi për Gjedeonin dhe për mbarë shtëpinë e tij.

28 Kështu madianët qenë përulur para bijve të Izraelit, dhe më nuk mund të ngrinin zverkun e vendi ra në paqe për dyzet vjet gjatë jetës së Gjedeonit.

29 Kështu Jerobbaali, biri i Joasit, shkoi e jetoi në shtëpinë e vet. 30 Gjedeoni pati shtatëdhjetë djem, që dolën prej ijes së tij, sepse pati shumë gra. 31 Po edhe shemra e tij që jetonte në Sikem, i lindi një djalë, të cilit ai vetë ia ngjiti emrin Abimelek.

32 Gjedeoni, biri i Joasit, vdiq në pleqëri të thellë dhe qe varrosur në varrin e t’et, Joasit në Efrën e bijve të Abiezerit.

Rënia e sërishme e izraelitëve në idhujtari

33 Pasi vdiq Gjedeoni, izraelitët filluan të lavirësojnë me Baalë dhe për hyj të tyre caktuan Baalberitin. 34 As nuk u ra ndër mend për Zotin, Hyjin e tyre, që i shpëtoi nga duart e të gjithë armiqve të tyre që kishin përreth. 35 Nuk u treguan as mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerobbaalit Gjedeon për të gjitha të mirat që i kishte bërë Izraelit.

Gjyqtarët: 9. Ç. Mbretëria e Abimelekut

9

1 U çua Abimeleku, biri i Jerobbaalit, e shkoi në Sikem te vëllezërit e s’ëmës dhe u tha atyre e mbarë farefisit të nënës së vet: 2 ”Bisedoni me të gjithë burrat e Sikemit e u thoni: Ç’është më mirë për ju: t’ju sundojnë shtatëdhjetë burra ‑ të gjithë të bijtë e Jerobbaalit, apo të sundojë mbi ju një njeri i vetëm? E mos harroni se unë jam ashti juaj e mishi juaj.” 3 Vëllezërit e nënës së tij biseduan me të gjithë njerëzit e Sikemit për të e u treguan të gjitha fjalët e tija dhe ua mbushën mendjen për ta përkrahur Abimelekun. Sepse thoshin: “Është vëllai ynë”. 4 I dhanë edhe shtatëdhjetë sikla të argjendtë prej faltores së Baalberitit e me to pagoi disa njerëz të poshtër e rrugaçë që e përcillnin. 5 Shkoi në shtëpinë e t’et në Efër dhe i vrau vëllezërit e vet, bijtë e Jerobbaalit, shtatëdhjetë vetë mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Joatami, më i vogli djalë i Jerobbaalit, sepse u fsheh. 6 U bashkuan, pra, të gjithë burrat e Sikemit e të shtëpisë së Melos e shkuan dhe e bënë mbret Abimelekun te qarri që gjendej në Sikem.

Përrallëza e Joatamit

7 E njoftuan për këtë Joatamin. Ky shkoi e zuri vend në majë të malit Garizim, bërtiti me sa zë pati e tha:

“Më dëgjoni, zotërinj të Sikemit, dhe Hyji ju dëgjoftë ju.

8 Qëmoti u nisën për rrugë lëndët

për të shuguruar një mbret mbi vete

e i thanë ullirit:

‘Mbretëro mbi ne!’

9 Por ulliri u përgjigj:

‘A të heq dorë nga vaji im,

me të cilin nderohen zotët dhe njerëzit,

e të vij të luhatem përmbi lëndë?!’

10 I thanë pra, lëndët edhe drurit të fikut:

‘Eja e mbretëro mbi ne.’

11 Edhe fiku u përgjigj:

‘A të heq dorë nga ëmbëlsia ime

e nga frutat e mi të shijshëm

që të luhatem përmbi lëndët e tjera?!’

12 Atëherë lëndët i thanë hardhisë:

‘Eja ti e na sundo!’

13 E hardhia u përgjigj:

‘A të heq dorë nga vera ime

që gëzon zotë e njerëz

e të vij që të bashkëluhatem mbi lëndët e tjera?!’

14 Të gjitha lëndët atëherë i thanë ferrëmanzës:

‘Eja e mbretëro mbi ne!’

15 Ferrëmanza u përgjigj:

‘Nëse vërtet po më bëni mbret tuajin,

ejani e pushoni nën hijen time.

Por në qoftë se nuk është ashtu

daltë zjarri prej ferrëmanzës

e i përpiftë cedrat e Libanit!’

16 E tani, dëgjoni: nëse keni vepruar drejt e pa të keq duke e vënë mbret mbi ju Abimelekun, nëse vepruat mirë ndaj Jerobbaalit e shtëpisë së tij dhe ia shpërblyet të mirat e tija, 17 i cili luftoi për ju dhe vuri jetën e vet në rrezik që t’ju shpëtonte prej dorës së Madianit, 18 që tani u ngritët kundër shtëpisë së tim eti e i vratë bijtë e tij ‑ shtatëdhjetë burra mbi një shkëmb dhe vutë për mbret Abimelekun, birin e shërbëtores së tij, përmbi banorët e Sikemit për arsye se është vëllai juaj; 19 në qoftë, pra, se vepruat drejt e pa të keq ndaj Jerobbaalit e shtëpisë së tij sot, atëherë e gëzofshi Abimelekun e Abimeleku ju gëzoftë ju. 20 Por, në qoftë se s’është ashtu: daltë zjarri prej Abimelekut e i përpiftë banorët e Sikemit e Shtëpinë Melo; daltë zjarri prej njerëzve të Sikemit e Shtëpisë së Melos dhe e përpiftë Abimelekun”!

21 Joatami, si foli kështu, iku e shkoi në Berë dhe atje jetoi, sepse kishte frikë nga Abimeleku, i vëllai.

Kryengritja e sikemasve kundër Abimelekut

22 Kështu pra, Abimeleku mbretëroi mbi Izraelin për tri vjet. 23 Atëherë Zoti çoi një shpirt ndarje ndërmjet Abimelekut e banorëve të Sikemit. Këta u çuan në kryengritje kundër tij, 24 që krimi i vrasjes së shëmtuar të shtatëdhjetë bijve të Jerobbaalit dhe gjaku i derdhur i tyre të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre, dhe mbi burrat e Sikemit që i ndihmuan. 25 Vunë, pra, pritat kundër tij majave të maleve e cubnonin të gjithë ata që kalonin rrugës. E njoftuan Abimelekun.

26 Tani Gaali, biri i Obedit, erdhi me vëllezërit e vet në kalim në Sikem. Banorët e Sikemit i vunë shpresat në të. 27 Dolën në fushë, volën vreshtat e veta, shtrydhën rrushin, dhe, duke kënduar së bashku, hynë në faltoren e zotit të tyre dhe, ha, pi e fol keq për Abimelekun, 28 kur me zë të lartë foli Gaal Obedi: “Po kush është Abimeleku përballë Sikemit që t’i shërbejmë!? Po a nuk është biri i Jerobbaalit e Zebuli zëvendësi i tij?! Shërbejuni burrave të Emorit, babait të Sikemit! Përse t’i shërbejmë atij! 29 Ah! Sikur të kishte besim në mua ky popull, do ta dëboja Abimelekun e do t’i thosha: Mblidh sa më shumë ushtri dhe dil të ndeshemi në luftë!”

30 Kur Zebuli, kryetari i qytetit, dëgjoi fjalët e Gaalit, birit të Obedit, u zemërua fort 31 dhe dërgoi fshehurazi lajmëtarë tek Abimeleku e i tha: “Ja, Gaali, biri i Obedit, erdhi në Sikem me vëllezërit e vet dhe po nxit qytetin kundër teje. 32 Çohu, pra, natën me popullin që ke me vete, dhe vër prita në fushë. 33 Në mëngjesin e parë, porsa të lindë dielli, sulmoje qytetin dhe, kur të dalë Gaali me popullin kundër teje: bëji gjithçka që të mundesh”!

34 U çua, pra, Abimeleku me mbarë ushtrinë e vet natën e i vuri pritat përbri Sikemit në katër vende. 35 U çua edhe Gaali, biri i Obedit, dhe qëndroi në hyrje të derës së qytetit. U ngrit edhe Abimeleku dhe mbarë ushtria që ishte me të, dhe lëshoi vendin e pritave. 36 Kur e pa Gaali ushtrinë, i tha Zebulit: “Ja po zbret prej maleve një shumicë njerëzish”. Por ai iu përgjigj: “Sheh hijen e maleve e të duken njerëz”! 37 Por Gaali përsëri foli: “Ja, populli po ulet prej Kërthizës së Tokës edhe një çetë po zbret udhës së Qarrit të Dijetarve”. 38 Zebuli i tha: “Ku janë tani fjalët e tua të mëdha që i thoshe: ‘Kush është Abimeleku që t’i shërbejmë?’ A nuk është ky populli që e përbuzje? Dil e lufto kundër tij!”.

39 Shkoi, pra, Gaali para popullit të Sikemit e luftoi kundër Abimelekut. 40 Abimeleku e theu dhe e ndoqi ndërsa ikte. Shumë prej njerëzve të tij mbetën të vrarë derisa arritën te dera e qytetit. 41 Atëherë Abimeleku u kthye në Arumë. Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij prej qytetit dhe nuk i duroi të qëndronin më në qytet.

Rrënimi i Sikemit dhe pushtimi i kullës së Sikemit

42 Të nesërmen populli doli në fushë. E lajmëruan Abimelekun. 43 Ky mori ushtrinë e vet, e ndau në tri çeta duke vënë pusi në fushë. Kur pa se populli po dilte prej qytetit, i sulmoi dhe i vrau. 44 U sul me çetën e vet dhe rrethoi derën e hyrjes së qytetit, kurse ato dy çetat që fshiheshin në fushë, i goditën ata që ishin jashtë. 45 Abimeleku e sulmoi qytetin gjithë ditën, e mori, i vrau banorët, e rrafshoi atë dhe hodhi kripë nëpër të. 46 Kur morën vesh banorët e kullës së Sikemit, ikën e u futën në kriptën e faltores së Elberitit /d. m. th. të Besëlidhjes së hyjit/. 47 Por mori vesh edhe Abimeleku se të gjithë burrat e kullës së Sikemit ishin grumbulluar aty, 48 doli në malin Selmon me mbarë ushtrinë e vet, mori sopatën, preu një degë lisi, e vuri në krah dhe, duke e mbartur, u tha shokëve: “Ç’po shihni se po bëj unë, bëni shpejt edhe ju”. 49 Edhe ata, si në garë, prenë degë lisash dhe ndiqnin prijësin. I hodhën degët në kriptë dhe i dhanë zjarr. Kështu mbaruan prej tymit e zjarrit të gjithë njerëzit: rreth një mijë vetë burra e gra banorë të kullës së Sikemit.

Rrethimi i Tebesit dhe vdekja e Abimelekut

50 Atëherë Abimeleku shkoi në qytezën e Tebesit, e rrethoi dhe e pushtoi. 51 Por në mes të qytetit ishte një kullë e fortë. Në të ishin strehuar burra e gra, të gjithë banorët e qytetit. Derën e kishin mbyllur mirë e kishin dalë në tarracë të kullës. 52 Abimeleku iu afrua kullës, e sulmoi rreptë dhe po i afrohej derës për t’i dhënë zjarrin.

53 Një grua mori gurin e sipërm të mokrës, ia përplasi Abimelekut në kokë dhe ia çau rrashtën. 54 Abimeleku e thirri menjëherë armëmbajtësin e vet e i tha: “Nxirre shpatën tënde dhe më godit që të mos thuhet se më vrau një grua”. Armëmbajtësi e shporoi me shpatë. 55 Kur panë se vdiq Abimeleku, izraelitët u kthyen në shtëpitë e veta.

56 Dhe kështu Hyji ia ktheu të keqen Abimelekut që e kishte bërë kundër t’et duke i vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e vet. 57 Po kështu edhe sikemasit i shpaguan të këqijat që kishin bërë, dhe mbi ta ra nëma e Joatamit, birit të Jerobbaalit.

Gjyqtarët: 10. Jefteu dhe gjyqtarët e vegjël

10

1 Pas Abimelekut u ngrit si prijës për të shpëtuar Izraelin Tola, biri i Fua Dodos, burrë prej fisit të Isaharit, i cili jetonte në Samir, në Malësinë e Efraimit. 2 Për njëzet e tri vjet qe gjyqtar i Izraelit, pastaj vdiq e qe varrosur në Samir.

7. JAIRI

3 Pas tij u ngrit Jairi Galaadaj. Ky qe gjyqtar në Izrael për njëzet e dy vjet. 4 Kishte tridhjetë djem, të cilët kalëronin mbi tridhjetë gomarë. Kishin tridhjetë qytete që u quajtën Havot Jair /d. m. th. Stanet e Jairit/ e që deri në ditën e sotme janë në tokën e Galaadit. 5 Vdiq edhe Jairi dhe u varros në Kamon.

8. JEFTEU

Amonitët ndrydhin Izraelin

6 Por bijtë e Izraelit, mëkateve të vjetra u shtuan edhe mëkate të reja dhe bënë të keqen ndër sy të Zotit. U shërbyen Baalëve dhe Astarotëve, hyjnive të Sirisë, Sidonit, Moabit e të bijve të Amonit e të filistenjve. E lanë Zotin dhe nuk e nderonin atë. 7 Zoti u hidhërua kundër tyre dhe i lëshoi në duar të filistenjve e të bijve të Amonit. 8 Dhe qenë poshtëruar e munduar tmerrësisht për tetëmbëdhjetë vjet të gjithë bijtë e Izraelit që jetonin përtej Jordanit në tokën e amorrenjve në Galaad. 9 Aq sa bijtë e Amonit e kalonin Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, Beniaminit e shtëpisë së Efraimit: Izraeli hiqte vuajtjet e gjarprit nën gur.

10 Atëherë bërtitën bijtë e Izraelit drejt Zotit e thanë: “Mëkatuam kundrejt teje, sepse e lamë Zotin tonë e u shërbyem Baalëve”. 11 E Zoti u tha: “Po a nuk ju patën ndrydhur egjiptianët, amorrenjtë, bijtë e Amonit e të Filisteut, 12 sidonët, amalekët dhe madianët; më lëshuat kushtrimin dhe a nuk ju shpëtova unë prej dorës së tyre?! 13E prapëseprapë më latë mua e u shërbyet zotëve të huaj, prandaj nuk do t’ju çliroj më! 14 Shkoni e jepuni kushtrimin zotëve që i zgjodhët: ata le t’ju çlirojnë në ditën e vështirë”! 15 Por bijtë e Izraelit vijuan të luten: “Mëkatuam! Bëj me ne gjithë si të të pëlqejë ty, por na shpëto edhe kësaj here”! 16Si thanë kështu, hodhën jashtë kufinjve të vet të gjithë idhujt e zotëve të huaj e i shërbyen Zotit. Zoti pati dhembshuri për shkak të mjerimeve të Izraelit.

17 U bashkuan bijtë e Amonit dhe ngulën fushimin në Galaad. U bashkuan kundër tyre edhe bijtë e Izraelit dhe u fushuan në Masfë. 18 Atëherë populli dhe prijësit e Galaadit i thanë njëri ‑ tjetrit: “Kush është burrë që prin në luftë kundër bijve të Amonit? Ai le të jetë prijësi i të gjithë banorëve të Galaadit”!

Gjyqtarët: 11. Jefteu vë kushtet

11

1 Jefteu Galaadaj ishte burrë i fortë. Ishte biri i një gruaje të përdalë që ia lindi Galaadit. 2 Por Galaadi kishte gruan e vet, me të cilën i lindën fëmijë. Këta, kur u rritën, e dëbuan Jefteun përjashta me këto fjalë: “Ti s’do të kesh pjesë në pronën e babait tonë, sepse je prej një gruaje të huaj”. 3 Prandaj Jefteu iku larg vëllezërve dhe banoi në tokën Tob. Rreth tij u bashkuan disa njerëz pa plëng e çetonin me të.

4 Diku asokohe amonasit po bënin luftë kundër Izraelit. 5 Kur ata ashpërsuan luftën, krerët e Izraelit u nisën prej Galaadit për ta marrë për ndihmë në anën e vet prej tokës së Tobit Jefteun. 6 I thanë: “Eja e bëju kapedani ynë e të luftojmë kundër amonasve”. 7 Por ai iu përgjigj: “Po a nuk jeni ju ata që më urreni e më keni dëbuar prej shtëpisë së tim eti? Tani vini tek unë që paskeni rënë ngushtë”! 8 Krerët e Galaadit i thanë Jefteut: “Pikërisht për këtë arsye kemi ardhur tani tek ti: eja me ne e lufto kundër amonasve dhe do të bëhesh kapedani i të gjithëve ne që jetojmë në Galaad”. 9 E Jefteu u tha: “Nëse po më ktheni atje për të luftuar si prijës juaji kundër bijve të Amonit dhe nëse Zoti i lëshon ata në duart e mia, unë do të jem kryetari juaj”. 10 Ata iu përgjigjën: “Zotin, që i dëgjon këto fjalë, e vëmë ndërmjetës e dëshmitar se do të bëjmë siç thua ti”.

11 Jefteu shkoi me krerët e Galaadit. Mbarë populli e bëri prijës të vetin. Jefteu i përsëriti fjalët e veta para Zotit në Masfë.

Jefteu përpiqet të bëjë marrëveshje

12 Jefteu dërgoi përfaqësues te mbreti i bijve të Amonit, që t’i thonë prej anës së tij: “Ç’kemi kundër njëri‑tjetrit që erdhe kundër meje për të më pushtuar tokën time”? 13 Mbreti iu përgjigj: “Sepse Izraeli e mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, prej kufijve të Arnonit deri në Jabok e në Jordan. Tani ma kthe me paqe”. 14 Jefteu përsëri dërgoi lajmëtarë dhe u urdhëroi t’i thonë mbretit të Amonit: 15”Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk e mori tokën e Moabit as tokën e bijve të Amonit. 16 Por, kur dolën prej Egjiptit, Izraeli udhëtoi nëpër shkretëtirë deri në Detin e Kuq dhe erdhi në Kades. 17 Atëherë dërgoi lajmëtarë te mbreti i Edomit me këtë lutje: ‘Më lejo, të lutem, të kaloj nëpër tokën tënde.’ Por ai nuk deshi t’ia dëgjojë lutjen. Ai i dërgoi gjithashtu edhe te mbreti i Moabit, por edhe ai nuk deshi t’i lejojë kalimin. Kështu, pra, Izraelitët mbetën në Kades. 18 Atëherë përshkoi shkretëtirën, duke iu shmangur tokës së Edomit e tokës së Moabit, dhe arriti në lindje të tokës së Moabit. E nguli ja përtej Arnonit dhe nuk deshi të hyjë brenda kufijve të Moabit. E Arnoni është kufiri i tokës së Moabit. 19 Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë te Sehoni, mbreti i amorrenjve, mbreti i Hesebonit, e i tha: ‘Më lejo të kaloj nëpër tokën tënde deri në vendin tim’. 20 Por as ky nuk u dha rëndësi fjalëve të Izraelit e nuk e la të kalonte nëpër tokën e tij, por, madje, bashkoi mbarë popullin e vet dhe i doli para në Jasë e nisi luftën me Izraelin. 21 Por Zoti e lëshoi në dorë të Izraelit me të gjithë ushtrinë e tij. Izraeli e goditi dhe pushtoi mbarë tokën e Amorreut, banuesit të atij vendi, 22 mbarë territorin e tij prej Arnonit e deri në Jabok dhe prej shkretëtirës e deri në Jordan. 23 Pra, Zoti, Hyji i Izraelit, qe ai që e shpartalloi Amorreun në praninë e popullit të vet Izraelit! E ti tani na dashke ta bësh pronë tokën e tij? 24 Pse a nuk të takon me të drejtë edhe ty prona që ta jep Kamosi, zoti yt? Ta dish veçse edhe se ç’e fitoi Zoti, Hyji ynë, si ngadhënjyes, është prona jonë! 25 Pse, a mos je më i mirë se Balaku, biri i Seforit, mbreti i Moabit? A bëri ai ankesë kundër Izraelit ose a i shpalli ndoshta luftë? 26 tani e treqind vjet Izraeli banon në Hesebon e në fshatrat e tij, në Aroer e në terrenin e tij edhe në të gjitha qytetet përbri Arnonit, përse gjatë tërë kësaj kohe s’ndërmorët asgjë deri tani? 27 Kështu, pra, unë s’të kam kurrfarë faji, por je ti që po më mbetesh në qafë duke më shpallur luftë jo të drejtë! Gjykoftë sot Zoti, Gjykatës, ndërmjet bijve të Izraelit e bijve të Amonit”.

28 Por mbreti i amonasve s’deshi t’i dëgjonte fjalët e Jefteut që i kishte dërguar me anë të kasnecëve.

Kushti i Jefteut dhe fitorja

29 Dhe shpirti i Zotit e pushtoi Jefteun. E përshkoi Galaadin e Manaseun e erdhi në Masfë të Galaadit, e prej këndej te bijtë e Amonit. 30 Por Jefteu i bëri Zotit një kusht. Tha: “Nëse do t’i lëshosh bijtë e Amonit në duar të mia, 31 të parin që do të dalë nga dera e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem si ngadhënjyes mbi amonasit, do t’ia kushtoj Zotit fli shkrumbimi”.

32 U ra pra Jefteu bijve të Amonit për t’i luftuar dhe Zoti ia lëshoi në dorë. 33 Dhe i shkallmoi prej Aroerit e derisa të mbërrish në Menit, njëzet qytete, e deri në Abelharmim: një humbje tmerrësisht e madhe.

Bijtë e Amonit qenë mposhtur prej bijve të Izraelit.

34 Ndërsa Jefteu po kthente në Masfë në shtëpinë e vet, kur ja, duke vallëzuar e duke i rënë dajres, i doli para vajza e vetme! S’kishte tjetër as djalë as vajzë!

35 Posa e pa, i shqeu petkat e veta e dënesi: “Heu, bija ime! Ti më shtive në dhe! Qenke edhe ti ndër ata që më sjellin fatkeqësinë! Ju kushtova Zotit e s’mund të bëj ndryshe”!

36 Ajo iu përgjigj: “Nëse iu kushtove Zotit, bëj me mua gjithë si të jesh kushtuar, mjaft që Zoti ka bërë që t’u hakmerresh armiqëve të tu, bijve të Amonit, e të ngadhënjesh mbi ta”! 37 Pastaj i tha t’et: “Po të lutem më bëj vetëm këtë nderë: Më lër të lirë vetëm dy muaj të endem maleve me shoqet e mia e ta vajtoj virgjërinë time”. 38 Ai iu përgjigj: “Shko!” ‑ dhe e la të shkonte për dy muaj. Ajo shkoi me shoqet e veta dhe maleve vajtonte virgjërinë e vet. 39 Si u kryen dy muaj, u kthye tek i ati. Ai e kreu mbi të kushtin që kishte bërë. Ajo kurrë nuk njohu burrë. Që atëherë u bë zakon në Izrael, dhe ky zakon u mbajt, 40 vit për vit të bashkohen vajzat e Izraelit dhe të vajtojnë bijën e Jefteut të Galaadit për katër ditë.

Gjyqtarët: 12. Lufta ndërmjet Efraimit e Galaadit. Vdekja e Jefteut

12

1 Tani njerëzit e fisit të Efraimit u bashkuan, kaluan në veri e i thanë Jefteut: “Përse ke shkuar në luftë kundër bijve të Amonit e nuk ke dashur të na ftosh të vinim edhe ne me ty? Prandaj do ta ndezim shtëpinë tënde mbi ty”. 2 Ai iu përgjigj: “Ishim ngatërruar keq unë dhe populli im me bijtë e Amonit. Ju thirra të vinit në ndihmë, por ju nuk deshët. 3 Kur e pashë këtë, e vura jetën time në rrezik dhe i sulmova bijtë e Amonit e Zoti m’i lëshoi në dorë. Me çfarë u bëra shkak që ju të ngriheni sot në luftë kundër meje”?

4 Jefteu i bashkoi rreth vetes të gjithë burrat e Galaadit e nisi luftën me Efraimin. Galaadajt i mundën efraimët, sepse këta u kishin thënë: “Ju jeni të ikur prej Efraimit; Galaadi banon ndërmjet Efraimit e Manaseut”. 5 Galaadajt i zunë kalimet e Jordanit, nëpër të cilët do të kalonin efraimët. Kur vinte ndonjë i ikur efraimas e thoshte: “Të lutem, më lër të kaloj.” Galaadajt i thoshin: “A mos je efraimas”? E ai thoshte: “Nuk jam”, 6 i thoshin: “Thuaj pra: Shibolet” /që do të thotë: Kallëz/ e ai përgjigjej: “Sibolet”, sepse nuk mund ta shqiptonte drejt. E kapnin vrik dhe e vrisnin në Jordan. Asokohe u vranë efraimas dyzet e dy mijë vetë.

7 Jefte Galaadaj qe gjyqtar në Izrael për gjashtë vjet. Pastaj vdiq e qe varrosur në qytetin e vet në Galaad.

9. ABESANI

8 Pas tij gjyqtar në Izrael qe Abesani prej Betlehemit. 9 Ky pati tridhjetë djem e tridhjetë vajza, të cilat i martoi jashtë fisit, dhe po aq vajza jashtë fisit u solli të bijve për gra. Për shtatë vjet qe gjyqtar në Izrael. 10 Vdiq dhe qe varrosur në Betlehem.

10. AHIALONI

11 Pas tij qe gjyqtar në Izrael për dhjetë vjet Ahialon Zabulonasi. 12 Vdiq e qe rrëmuar në Ahialon, në tokën e Zabulonit.

11. ABDONI

13 Pas tij gjyqtar në Izrael qe Abdoni, biri i Ilel Faratonasit. 14 Ky pati dyzet djem dhe prej tyre tridhjetë nipa që kalëronin shtatëdhjetë gomarë. Për tetë vjet qe gjyqtar në Izrael. 15 Vdiq dhe qe varrosur në Faraton në tokën e Efraimit, në malin Amalek.

12. SAMSONI

Gjyqtarët: 13. Lajmi i lindjes së Samsonit

13

1 Të bijtë e Izraelit përsëri bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Ai i lëshoi në duar të filistenjve për dyzet vjet.

2 Ishte asokohe një njeri prej Sarasë i fisit të Danit me emrin Manueh. Gruan e kishte beronjë. 3 Kësaj iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Ja, pra, je barkshuar, e pa fëmijë”. Por do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. 4 Pra, kujdes, mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë, të papastër, 5 sepse do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Kokën e tij të mos e prekë brisku i rrojes: sepse fëmija që në kraharorin e nënës do të jetë i kushtuar Hyjit ‑ nazaré ‑ dhe ai do të fillojë ta shpëtojë Izraelin prej dorës së filistenjve”.

6 Gruaja shkoi dhe i tregoi burrit. I tha: “Një njeri i Hyjit erdhi tek unë. Kishte një pamje si të një engjëlli të Zotit, jashtëzakonisht të tmerrshme. Nuk e pyeta nga ishte dhe as nuk ma tregoi emrin. 7 Por më tha: “Ja, do të ngjizësh e do të lindësh një djalë”. Por kujdes: mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë të papastër: sepse fëmija do të jetë nazaré i Hyjit që prej kraharorit të nënës deri ditën e vdekjes së tij”.

Shfaqja e dytë e engjëllit

8 Atëherë Manuehu iu lut Zotit e tha: “Po të lutem, o Zot, që të vijë prapë ai njeriu i Hyjit që e dërgove ti, e të na mësojë çfarë na duhet të bëjmë me fëmijën që do të linde”. 9 Zoti e dëgjoi lutjen e Manuehut dhe engjëlli i Hyjit erdhi përsëri te gruaja që po rrinte në fushë. Porse Manuehu, burri i saj, nuk ishte me të. 10 Prandaj ajo nxitoi me vrap dhe e lajmëroi burrin e i tha: “Ja, m’u dëftua ai njeriu, që pat ardhur tek unë atë ditë”. 11 Ky u ngrit dhe shkoi me gruan e vet e, kur arriti tek ai, i tha: “A je ti që ke folur me këtë grua”? Ai iu përgjigj: “Unë jam”. 12 Manuehu i tha: “ Çfarë rregulle na duhet të mbajmë dhe ç’na duhet të bëjmë rreth fëmijës kur të plotësohet fjala jote”? 13 Atëherë engjëlli i Zotit i tha Manuehut: “Le të përmbahet, prej të gjitha atyre që i kam treguar gruas sate. 14 Të mos hajë asgjë që del prej hardhisë, verë e pije dehëse të mos pijë, të mos hajë asgjë të papastër, e le të mbajë gjithçka i urdhërova”.

15 Pastaj Manuehu i tha engjëllit të Zotit: “Na urdhëro, të lutemi, e po të përgatisim një edh”. 16 Engjëlli i Zotit iu përgjigj: “Po edhe sikur të më ndalësh, unë nuk e ha bukën tënde; po nëse do të kushtosh fli shkrumbimi, atëherë kushtoja Zotit”. Por Manuehu nuk e dinte se ishte engjëlli i Zotit, 17 prandaj edhe e pyeti: “Si e ke emrin që të mund të të nderojmë me ndonjë gjë kur të shkojë në vend fjala jote”? 18 Engjëlli iu përgjigj: “Përse me pyet për emër? Emri im është mister”?

19 Atëherë Manuehu mori një edh dhe endës për fli kushtimore dhe i vuri përmbi gur e ia kushtoi Zotit që bën punë të mrekullueshme. Ndërsa Manuehu dhe gruaja e tij po vërenin, 20 tek po ngjitej flaka prej lterit në qiell, panë se edhe engjëlli po ngjitej gjithashtu. Posa e panë Manuehu dhe gruaja e tij, ranë me fytyrë përdhe. 21 Engjëlli i Zotit nuk u duk më. Manuehu e mori vesh menjëherë se ishte engjëlli i Zotit 22 dhe i tha gruas së vet: “Do të vdesim sepse kemi parë Hyjin”. 23 Gruaja iu përgjigj: “Zoti, po të kishte dashur të na vriste, nuk do të pranonte prej duarve tona flinë e shkrumbimit e flinë kushtimore; nuk do të na i dëftonte të gjitha këto, as nuk do të na i thoshte gjërat e tilla”.

24 Gruas i lindi djali dhe ia ngjitën emrin Samson. U rrit djali dhe Zoti e bekoi. 25 Shpirti i Zotit nisi ta pushtojë në Fushimin e Danit, ndërmjet Sarasë e Estaolit.

Gjyqtarët: 14. Martesa e Samsonit

14

1 Samsoni zbriti në Tamnë dhe atje ndër vajzat e filistenjve pa një grua. 2 Ktheu në shtëpi e u tha babait e nënës së vet: “Pashë një vajzë ndër bijat e filistenjve dhe po ju bëj lutje të ma merrni për grua”. 3 I ati dhe e ëma i thanë: “Po a thua nuk ka gra ndër vajzat e vëllezërve të tu e në mbarë popullin tim që do të marrësh për grua një bijë filistenjsh që janë parrethprerë”? Por Samsoni iu përgjigj t’et: “Ma merr atë, se ajo më pëlqen”. 4 Prindërit e tij nuk e dinin se kjo gjë bëhej prej Zotit, i cili kërkonte shkas ngatërrese me filistenj. Asokohe filistenjtë zotëronin mbi Izraelin.

5 Kështu, pra, Samsoni po zbriste në Tamnë bashkë me t’atin e t’emën. Kur mbërritën te vreshtat e qytetit, u doli para zogu i luanit duke ulëritur dhe e sulmoi atë. 6 Por shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe e copëtoi luanin si të shqyente në copa një edh. E pra, asgjë s’pati në dorë. Për këtë gjë s’deshi t’u tregojë babait e nënës. 7 Zbriti dhe bisedoi me gruan që kishte pëlqyer. 8 Pas disa ditësh u kthye për ta marrë. Zbriti nën rrugë për të parë kufomën e luanit, kur ja, shema e bletës në trupin e luanit dhe fasholli me mjaltë! 9 E mori në dorë dhe po hante rrugës. Kur erdhi tek i ati e tek e ëma, u dha edhe atyre dhe hëngrën. Por nuk deshi t’u tregojë se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.

10 Zbriti pra, i ati tek gruaja, e Samsoni bëri aty një gosti. Kështu e kishin zakon të bënin të rinjtë. 11 Kur e panë banorët e atij qyteti, i dhanë për shokë tridhjetë vetë që të qëndronin me të.

Gjëegjëza e Samsonit

12 Samsoni u tha: “Po ju tregoj një gjëegjëzë dhe, nëse ma zbërtheni brenda shtatë ditëve të gostisë do t’ju jap tridhjetë zhguna dhe tridhjetë petka ndërrimi; 13 por në qoftë se nuk do të mund ta shtjelloni, atëherë do të më jepni ju tridhjetë zhguna e po aq petka ndërrimi”. Ata iu përgjigjën: “Tregoje gjëzën ta dëgjojmë”. 14 E ai u tha:

“Prej atij që ha, doli ç’hahet; prej të fortit doli ëmbëlsira” .

Për tri ditë nuk ia dolën ta zbërthenin gjëzën. 15 Të katërtën ditë i thanë gruas së Samsonit: “Ngashnjeje tënd shoq dhe mbushja mendjen të ta kallëzojë ty gjëzën: e në qoftë se s’do të bësh kështu, do të të djegim ty dhe shtëpinë e babait tënd. Pse, a na keni ftuar në dasëm për të na plaçkitur” ? 16 Atëherë gruaja po derdhte lot para Samsonit dhe ankohej duke thënë: “Ti më urren e nuk më do, prandaj as që do të ma shpjegosh gjëegjëzën që ua parashtrove bijve të popullit tim”. Por ai iu përgjigj: “Unë nuk ua dëftova as babait as nënës sime, e si mund të ta shpjegoj ty” ? 17 Kështu pra, për shtatë ditët e dasmës ajo qau para tij. Në fund, të shtatën ditë, pasi e mërziti, ia shtjelloi. Ajo ua dëftoi menjëherë qytetarëve të vet. 18 Ata të shtatën ditë para perëndimit të diellit, i thanë:

“Ç’ është më e ëmbël se mjalti

e ç’ është më i fortë se luani”?

Ai atëherë u tha:

“Po të mos kishit lëvruar me mëshqerrën time,

gjëegjëzën time nuk do ta kishit gjetur”.

19 Shpirti i Zotit e pushtoi, zbriti në Askalon, i vrau tridhjetë burra aty, ua hoqi petkat dhe ua dha atyre që zbërthyen gjëzën. I hidhëruar shumë shkoi në shtëpinë e t’et.

20 Gruaja e tij mori për burrë njërin prej djelmoshave që e shoqëroi për ta nderuar në dasëm.

Gjyqtarët: 15. Samsoni i djeg të korrat e filistenjve

15

1 Pas do kohe, kur ishte koha e korrjes së grurit, Samsoni shkoi për të parë gruan e vet dhe i solli për dhuratë një kec. Kur deshi të hyjë tek ajo, ia ndaloi i ati i saj 2 duke thënë: “Mendova se nuk e do më dhe prandaj ia dhashë për grua mikut që të shoqëroi; por ajo ka motrën e vet që është më e re dhe më e bukur se ajo: merre për grua në vend të saj”. 3 Samsoni iu përgjigj: “Kësaj here s’do të kem faj ndaj filistenjve nëse do t’u bëj ndonjë të keqe”. 4 Atëherë Samsoni shkoi dhe i zuri treqind dhelpra, i lidhi bisht për bisht, e në dy bishtat e lidhur vuri një pishë, 5 i ndezi zhublat dhe i lëshoi dhelprat në të mbjella të filistenjve. Ua dogji si grurin në shtrega si grurin e pakorrur ende, zjarri përlau po ashtu edhe vreshtat e ullishtat.

6 Filistenjtë pyetën: “Kush do ta ketë bërë këtë gjë”? U qe thënë: “Samsoni, dhëndri i Tamnateut që ia mori gruan e ia dha një tjetri, e ka bërë këtë gjë”. Atëherë filistenjtë shkuan dhe e dogjën si gruan, ashtu edhe babain e saj. 7 Atyre Samsoni u çoi fjalë: “Pasi bëtë ashtu, unë nuk do të pushoj derisa t’ju hakmerrem”. 8 I vrau e i copëtoi e bëri kërdi në ta dhe pastaj shkoi të jetojë në shpellën e qetës Etam.

Nofulla e gomarit

9 Prandaj filistenjtë erdhën në Judë dhe aty ngulën fushimin, dhe ushtria e tyre u shpërnda deri në Lehi /d. m. th. Nofull/. 10 Njerëzit prej fisit të Judës u thanë: “Pse keni ardhur kundër nesh”? Ata u përgjigjën: “Erdhëm për ta lidhur Samsonin e për t’ia bërë siç na e bëri ai neve”. 11 Atëherë zbritën tri mijë burra prej fisit të Judës te shpella e qetës Etam dhe i thanë Samsonit: “Po a nuk e di se filistinët na sundojnë? Përse na e bëre këtë punë”? E ai iu përgjigj: “Siç ma kanë bërë ata mua, ua kam bërë edhe unë”. 12 I thanë: “Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët”. U përgjigj: “Më bëni be se nuk do të më vrisni”. 13 I thanë: “Nuk do të të vrasim, por do të të dorëzojmë të lidhur”. E lidhën me dy teje të reja dhe e morën prej qetës Etam.

14 Kur arritën në Lehi dhe, ndërsa filistenjtë duke bërtitur prej gëzimit po i dilnin përpara, shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe, sikur këputen fijet e lirit të djegura prej zjarrit, u këputën e ranë litarët me të cilët ishin të lidhura duart e tija. 15 Si i shkuan sytë në një nofull të freskët gomari, e kapi me dorë, solli në ta e i vrau një mijë vetë 16 e tha:

“Me nofull gomari

mogilë i bëra!

Me fulqi gomari

vrava një mijë burra”!

17 Kur e kreu këtë këngë, i dha krah nofullës së gomarit dhe atë vend e quajti: Ramatlehi /që do të thotë: Lartësimi i Nofullës/ 18 I djegur nga etja, iu lut Zotit e tha: “Ti bëre me anë të shërbëtorit tënd një shpëtim kaq të madh e një fitore, a thua tani do të vdes etjeje e do të bie në duar të parrethprerëve”? 19 Atëherë Hyji e hapi gropën që është në Lehi dhe buroi uji. Samsoni piu, e përtëriti shpirtin dhe rifitoi fuqinë. Prandaj ai burim u quajt Burimi i Lutësit. Është në Lehi edhe sot e kësaj dite.

20 Samsoni qe gjykatës në Izrael në kohën e filistenjëve për njëzet vjet.

Gjyqtarët: 16. Ngjarja me derën e Gazës

16

1 Pastaj Samsoni shkoi në Gazë. Aty pa një grua lavire dhe hyri tek ajo. 2 Gazasët i lajmëruan se Samsoni kishte hyrë në qytet. E rrethuan dhe i vunë pritën në derën e qytetit. Gjithë natën ndenjën qetë e prisnin që, pasi të zbardhte drita, ta vrisnin duke dalë prej qytetit. 3 Samsoni fjeti deri në mesnatë e atëherë u ngrit prej andej, e kapi derën e qytetit me gjithë shtatka e shula, i hodhi në krah dhe i çoi në majë të malit që është përballë Hebronit.

Samsoni tradhtohet prej Dalilës

4 Pastaj Samsoni zuri mikeshë një grua që jetonte në luginën e Sorekut. Ajo quhej Dalilë. 5 Erdhën tek ajo krerët e filistenjëve e i thanë: “Tradhtoje dhe nxirrja nëse ka gjithë atë fuqi, zbuloje si do të mund ta zotërojmë, ta lidhim e ta mposhtim. Nëse na e bën këtë, do të të japim secili nga një mijë e njëqind para argjendi.”

6 Këndej edhe Dalila i tha Samsonit: “Po të lutem, më trego ku të qëndron gjithë ajo fuqi dhe si do të mund të lidhesh e të zotërohesh”? 7 Samsoni iu përgjigj: “Po të më lidhnin me shtatë kordha harku të freskëta që nuk janë tharë ende, do të më mungonte fuqia e do të bëhesha si njerëzit e tjerë”.

8 Atëherë princat e filistenjëve ia sollën shtatë litarët siç kishte thënë: Me ta e lidhi Samsonin, 9 kurse prita rrinte fshehur në dhomën e saj. Ajo e thirri: “Samson, të sulmuan filistenjt”! Por ai i këputi litarët, siç e këput kushdo fijen e perit të dredhur të lirit pasi ta ketë djegur zjarri. Dhe nuk mund e hetuan se ku qëndron fuqia e tij.

10 Por Dalila i tha: “Ja, më gënjeve e nuk ma tregove të vërtetën. Së paku tani më trego me se duhet të lidhesh”. 11 Ai iu përgjigj: “Po qe se do të më lidhnin me litarë të rinj që nuk janë përdorur kurrë, do të bëhesha i ligësht dhe i ngjashëm me njerëzit e tjerë”. 12 Dalila e lidhi përsëri me ta dhe e thirri: “Samson, t’u sulën filistenjt!”, e në dhomë i kishte bërë gati pritarët. Por ai i këputi litarët aq lehtë si të kishin qenë fije peri.

13 Dalila i tha përsëri: “Deri kur do të më gënjesh e do të më rresh? Më trego me se duhet të lidhesh. “Në qoftë se të shtatë bishtalecat e gërshetuar të kokës sime i kalon nëpër liq dhe i rreh me shpatë të tezgjahut, do të humb forcën e do të bëhem si njerëzit e tjerë”. 14 Ajo e vuri të flejë, kaloi shtatë bishtalecat e gërshetuar të kresë së tij nëpër liq, i rrahu me shpatëz dhe i thirri: “Samson të kapën filistenjt”! Ai u zgjua, dhe i nxori shpatë, bërdilë e liq!

15 Atëherë Dalila i tha: “Pse thua se më dashuron, kur zemra jote s’është me mua? Tri herë rresht më gënjeve e nuk deshe të më kallëzosh ku qëndron fuqia jote e madhe”.

16 Pasi u mërzit dhe për shumë ditë rrinte duke e ngacmuar vazhdimisht dhe duke mos ia ndarë të keqen, ia këputi shpirtin dhe e molisi për vdekje. 17 Atëherë ia zbuloi krejtësisht zemrën e vet. I tha: “Brisk rroje askurrë nuk ka kaluar mbi kokën time, sepse jam “nazaré” ‑ i shuguruar Hyjit që në kraharorin e nënës sime. Po të rruhej koka ime, do të largohej prej meje fuqia ime e do të bëhesha i ligësht si çdo njeri tjetër”.

18 Kur pa Dalila se ia kishte hapur krejtësisht zemrën e tij, çoi t’i thërrisnin krerët e filistinëve e u tha: “Ejani vetëm edhe kësaj here, se tani ma ka zbuluar krejt zemrën e vet”. Ata erdhën e me vete i morën paratë, që ia kishin premtuar. 19 Ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e vet, thirri një berber dhe ia rroi shtatë bishtalecat e tij e zuri ta vërë në lojë: sepse forca u largua menjëherë prej tij. 20 Atëherë bërtiti: “Samson, të kapën filistenjt”! Kur i doli gjumi tha vetë me vete: “Do t’ia dal si bëra më parë e do të çlirohem”, sepse nuk e dinte që Zoti ishte larguar prej tij. 21 E kapën filistenjtë, ia nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E lidhën me dy palë hekura të bronzta dhe e mbyllën në burg. Aty sillte gurin e mullirit.

Hakmarrja dhe vdekja e Samsonit

22 Ndërkaq flokët që ia kishin rruar, filluan t’i rriten. 23 Prijësit filistenj ishin mbledhur së bashku për t’i kushtuar fli të madhërueshme Dagonit, zotit të tyre, dhe për t’u gostitur. Thoshin:

“Zoti ynë na lëshoi në dorë

armikun tonë, Samsonin”!

24 Po edhe populli, kur e pa, lëvdonte zotin e vet dhe i thoshte po ato fjalë:

“Zoti ynë na e dorëzoi

kundërshtarin tonë

që shkretoi tokën tonë

dhe vrau shumë prej tanëve”.

25 Tashti, pasi u bënë në qejf, kërkuan të sillej Samsoni e të bënte lojëra para tyre. E prunë prej burgut dhe ai po luante para tyre. E bënë të zërë vend ndërmjet dy shtyllave. 26 Ky i tha djaloshit që e merrte për dore: “Më lër t’i prek shtyllat, në të cilat pushon shtëpia, të mbështetem e të pushoj pak”. 27 E shtëpia ishte plot me trima e me gra; ishin aty të gjithë paria e filistenjve, po edhe nga pullazi rreth tri mijë vetë, burra e gra, e shikonin Samsonin tek po luante. 28 Samsoni iu lut Zotit e tha: “O Zot, Hyj, të të bjerë ndër mend për mua! Ma kthe vetëm edhe kësaj here forcën e mëparshme, o Hyj, që t’u hakmerrem filistenjve njëherë për të dy sytë e mi”! 29 I kapi dy shtyllat e mesme, mbi të cilat mbështetej shtëpia, njërës i vuri dorën e djathtë e tjetrës të majtën, e 30 tha: “Le të mbarojë jeta ime me filistenj”! Dhe i tundi për së forti shtyllat, shtëpia ra përmbi të gjithë prijësit e mbi mbarë popullin që ishte brenda. Duke vdekur vrau më shumë sesa kishte vrarë më parë sa ishte gjallë.

31 Atëherë zbritën vëllezërit e tij e mbarë farefisi, e morën trupin e tij dhe e varrosën ndërmjet Sarasë e Estaholit, në varrin e t’et, Manuehut.

Për njëzet vjet qe gjyqtar i Izraelit.

Gjyqtarët: 17. Shenjtërorja private e Mikës

17

1 Në Malësinë e Efraimit ishte një njeri që quhej Mikë. 2 Ky i tha s’ëmës: “Një mijë e njëqind paratë e argjendta, që t’u vodhën e mbi të cilat, si të kam dëgjuar edhe vetë, ke lëshuar mallkimin, ja ku janë, tek unë. Unë i mora”. Ajo iu përgjigj: “Qoftë bekuar prej Zotit biri im”! 3 Djali ia ktheu s’ëmës e ajo i tha: “Unë ia kam shuguruar e kushtuar Zotit këto para argjendi: që t’i pranojë prej dorës sime për djalin tim për të punuar një idhull të gdhendur e të shkrirë prej metali. Tani merri ti”.

4 Por ai ia ktheu s’ëmës. Kjo mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha argjendtarit që të gdhendte e të shkrinte me ta një idhull që ruhej në shtëpinë e Mikës. 5 Ky kishte një shenjtërore të vogël të Hyjit, punoi efod e terafim, e njërin ndër djemtë e vet e bëri prift dhe ai u bë prift për të. 6 Asokohe Izraeli nuk kishte mbret, kështu që gjithkush bënte çkado që i dukej e drejte të bëjë.

7 Tashti, ishte një djalosh i ri prej Betlehemit, prej fisit të Judës, dhe ky ishte levit e banonte aty si ardhacak. 8 Dalë një herë prej Betlehemit, mori rrugën e shtegtimit prej një vendi në një tjetër derisa të gjente një vend të përshtatshëm. Duke udhëtuar kështu, erdhi në Malësinë e Efraimit deri te shtëpia e Mikës. 9 Ky e pyeti se nga vinte. Ai iu përgjigj: “Jam një levit prej Betlehemit të Judës. Po kërkoj të gjej një vend të përshtatshëm për të banuar”. 10 Mika i tha: “Rri tek unë dhe m’u bëj baba e prift. Për çdo vit do të të jap dhjetë sikla të argjendta, veshje e mbathje e ushqim”. 11 Leviti pranoi e ndenji tek ai. E mbante sikur të ishte një nga bijtë e tij.

12 Mika e emëroi prift dhe djaloshi u bë prifti i tij që banonte tek ai. 13 Mika thoshte: “Tani e di se do të më bekojë Zoti, pasi për prift kam një levit”.

Gjyqtarët: 18. Danajt në kërkim të një vendi për të ngulur

18

1 Asokohe nuk kishte ende mbretër në Izrael. Asokohe fisi i Danit kërkonte një vend për pronë për të banuar, sepse deri atëherë nuk i kishte takuar asnjë trashëgim mes fiseve të tjera. 2 Prandaj bijtë e Danit dërguan pesë vetë, burra të fortë, prej fisit e barqeve të veta nga Saraja e Estaoli për t’i bërë hetime vendit e për ta njohur me kujdes. U thanë: “Shkoni e bëni hetime vendit”. Këta, kur arritën në Malësi të Efraimit, te shtëpia e Mikës, e kaluan natën aty. 3 Pasi ishin afër shtëpisë së Mikës, duke njohur zërin e djaloshit levit, u kthyen aty dhe e pyetën: “Kush të ka prurë këtu? Çfarë bën këtu? Për ç’arsye ke dashur të vish këtu”?

4 Djaloshi u përgjigj: “Mika ka bërë këtë e këtë për mua; ai më paguan që t’i jem prift”. 5 Ata i thanë: “Pyete për ne Hyjin a do ta bëjmë me sukses udhëtimin që kemi marrë dhe a do të na shkojë gjithçka mbarë”. 6 Ky iu përgjigj: “Shkoni në paqe! Rruga dhe udhëtimi juaj është nën mbikëqyrjen e Zotit”.

7 Këta shkuan dhe të pestët arritën në Lais. Panë se populli që banonte në të, jetonte në qetësi pa farë frike ‑ sikurse sidonasit ‑ i sigurt e i qetë: askush nuk i trazonte, kishin shumë pasuri, ishin larg prej sidonasve dhe nuk kishin farë shoqërie me Sirinë.

8 U kthyen te vëllezërit në Saraa e në Estaol dhe, të pyetur çfarë kishin bërë, u përgjigjën: 9 ”Çohuni të shkojmë kundër tyre! Sepse toka që pamë ishte shumë e pasur dhe e mirë. Pse po përtoni? Mos u matni: çohuni të shkojmë e ta pushtojmë. 10 Me siguri do të pushtojmë një tokë shumë të gjerë. Zoti me siguri do të na e dorëzojë! Është një vend ku nuk mungon asgjë që toka prodhon”.

Dyndja e Danëve

11 Kështu pra, u nisën gjashtëqind burra me armë lufte ngjeshur prej fisit të Danit nga Saraja e nga Estaoli. 12 U nisën dhe fushimin e ngulën në Kariatiarimin e Judës. Ky vend asokohe u quajt Zemërimia e Danëve e gjendet në perëndim të Kariatiarimit. 13 Prej andej u nisën në Malësinë e Efraimit.

Kur arritën te shtëpia e Mikës, 14 ata pesë vetë që më parë kishin qenë të dërguar për të hetuar tokën Lais, u thanë vëllezërve të vet: “A e dini se në këto shtëpi është efodi e terafimi si dhe idhulli i gdhendur e i shkrirë? Tani, ju dini se ç’duhet bërë”! 15 Ata u shmangën pak, hynë në shtëpinë e djaloshit levit, në shtëpinë e Mikës, dhe e përshëndetën me fjalë të mira, 16 ndërsa gjashtëqind danët e armatosur rrinin para derës. 17 Atëherë ata që kishin hyrë në shtëpinë e djaloshit, morën idhullin, efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë. Para derës qëndronte prifti dhe gjashtëqind vetë të armatosur. 18 Morën pra, ata që hynë në shtëpi, idhullin e gdhendur, efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë. Prifti u tha: “Çfarë bëni ashtu?”. 19 Ata iu përgjigjën: “Hesht dhe vëri kyçin gojës e eja me ne që të të kemi për atë e për prift. Ç’është më mirë për ty: të jesh prift në shtëpinë e një njeriu të vetëm, apo në një fis e në një trung të Izraelit”?

20 Prifti u gëzua, mori efodin, terafimin dhe idhullin e shkrirë dhe u nis mes popullit.

21 U nisën për rrugë. I qitën para fëmijët, bagëtitë e gjithçka kishin të çmueshme. 22 Ishin larguar bukur mirë prej shtëpisë së Mikës, kur ja, njerëzit që jetonin në shtëpitë afër shtëpisë së Mikës, ishin bashkuar dhe u vunë pas bijve të Danit. 23 Ia filluan të bërtasin pas shpinës së tyre. Këta, kur i panë, i thanë Mikës: “Ç’ke? Pse jeni bashkuar”? 24 Ai u përgjigj: “I morët zotat e mi që i gdhenda për vete, më morët priftin dhe gjithçka pata e tani më pyesni: ‘Ç’ke’” 25 Bijtë e Danit iu përgjigjën: “Qepe e mos fol më se po u hidhëruan njerëzit e të sulmuan, sharron ti dhe mbarë shtëpia jote”. 26 Si thanë kështu, vazhduan udhën që kishin marrë. Mika, pasi pa se ishin më të fortë, u kthye në shtëpinë e vet.

Pushtimi i Laisit. Themelimi i Danit dhe shenjtërorja e tij

27 Këta gjashtëqind vetë morën atë që Mika kishte dhënë t’i punohej dhe priftin e tij dhe arritën në Lais te një popull që ishte në qetësi e pa farë frike. Banorët i kaluan në tehun e shpatës e qytetit i dhanë zjarrin. 28 Askush nuk u erdhi në ndihmë, sepse jetonin larg Sidonit e me Sirinë nuk kishin asfarë shoqërimi dhe as marrëdhënie.

Qyteti ishte në krahinën e Rohobit. Këtë e rindërtuan dhe banuan në të. 29 Qytetin e quajtën Dan, me emrin e themeluesit të fisit të tyre, që i lindi Izraelit. Ai më parë quhej Lais.

30 Bijtë e Danit e vendosën idhullin. Jonatani, biri i Gersamit, bir i Moisiut, dhe bijtë e tij ishin priftërinj në fisin e Danit deri ditën kur populli qe tretur në skllavëri. 31

Për tërë këtë kohë idhulli i Mikës qëndroi ndër ta, për kohën sa ishte shtëpia e Hyjit në Silo.

Gjyqtarët: 19. Leviti i Efraimit e shemra e tij

19

1 Ndër ato ditë ‑ asokohe nuk kishte ende mbret në Izrael ‑ një levit që, si i ardhur, jetonte në pjesën e skajme të maleve të Efraimit, kishte marrë një ja prej Betlehemit të Judës. 2 Kjo u hidhërua dhe u kthye në shtëpinë e t’et në Betlehem dhe qëndroi tek ai katër muaj. 3 Burri i saj shkoi tek ajo për ta bindur që ta merrte me vete. Me vete kishte një shërbëtor dhe dy gomarë. Ajo e pranoi dhe e futi në shtëpinë e t’et. Po edhe vjehrri kur e pa, i doli plot gëzim para 4 dhe e ndali në shtëpi. Dhëndri qëndroi në shtëpinë e vjehrrit për tri ditë, hëngrën e pinë familjarisht. 5 Por të katërtën ditë u çuan herët dhe leviti mendonte të nisej për rrugë, por vjehrri i tha: “ Ha më parë pak bukë, forcohu njëherë e kështu mund të nisesh”. 6 Ndenjën të dy dhe hëngrën e pinë. Por babai i vajzës i tha dhëndrit: “Po të lutem të rrish edhe sot e të gëzohemi së bashku”. 7 Ai u ngrit e donte të nisej për rrugë. Megjithatë vjehrri iu vu shumë dhe e ndali të rrinte tek ai. 8 Kur zbardhi drita të pestën ditë, leviti po bëhej gati për udhëtim e vjehrri i tha: “Të lutem, forcohu më parë”! E vonoi derisa u thye dita. Të dy hëngrën së bashku. 9 Kur u ngrit dhëndri, për t’u nisur ai dhe ja e shërbëtori i tij, vjehrri, babai i vajzës, përsëri iu vu të rrinte: “Ti po sheh se dita është nga mbarimi dhe nata po afrohet: qëndroni tek unë edhe sot, kaloje këtu natën e gëzo e nesër në mëngjes nisu për të shkuar në shtëpinë tënde”.

10 Por dhëndri nuk deshi t’ia pranojë fjalët dhe u nis menjëherë. Arriti përballë Jebusit, d. m. th. Jerusalemit. Me vete kishte dy gomarët e ngarkuar dhe ja. 11 I qenë afruar Jebusit dhe dita po bëhej natë. Shërbëtori i tha zotërisë së vet: “Eja të shkojmë, të lutem, në qytetin e jebusenjve e të zëmë vend aty”. 12 Zotëria iu përgjigj: “S’po hyjmë në qytetin e popullit të huaj, që nuk u përket bijve të Izraelit, por po vazhdojmë deri në Gabà”. 13 Dhe shtoi: “Eja të shpejtojmë e të arrijmë në njërin ndër këto vende e ta kalojmë natën në Gaba ose në Ramë”.

Krimi i njerëzve të Gabasë

14 E kaluan, pra, Jebusin dhe po vazhdonin udhën që kishin marrë. Pranë Gabasë, që është në fisin e Beniaminit, u perëndoi dielli. 15 U drodhën në të për ta kaluar natën aty. Hynë në qytet e po rrinin në sheshin e qytetit, por askush s’donte t’i pranonte në shtëpi. 16 Kur ja, arriti një plak që po kthehej prej fushës në mbrëmje nga puna e vet. Edhe ky ishte i ardhur dhe banonte në Gaba e me fis ishte prej maleve të Efraimit, kurse vendësit e Gabasë ishin prej fisit të Beniaminit. 17 Ky ngriti sytë e pa ndenjur në sheshin e qytetit udhëtarin dhe e pyeti: “Nga po vjen e ku po shkon”? 18 Ai iu përgjigj: “Vijmë prej Betlehemit të Judës e po shkojmë në vendin tim, që është në pjesën e skajme të Malësisë së Efraimit, nga edhe shkova në Betlehem. Tani jam nisur të shkoj në shtëpinë time, por askush s’po do të më pranojë nën pullazin e vet, 19 megjithëse kam tagji e sanë për gomarët e mi, bukë e verë për mua, për gruan time, shërbëtoren tënde, për shërbëtorin tim që më përcjell mua, shërbëtorin tënd: nuk kemi nevojë për asgjë, veçse për bujtore”. 20 Plaku iu përgjigj: “Paqja me ty! Unë do të kujdesem për gjithçka të jetë e nevojshme, por hajde e mos rri në shesh”. 21 Atë e futi në shtëpi e gomarëve u qiti tagji. Pasi i lanë këmbët, shtruan sofrën.

22 Ndërsa ata po hanin darkë të gëzuar, kur ja, ia behën disa njerëz të atij qyteti, njerëz të poshtër, e rrethuan shtëpinë e plakut, filluan t’i bien derës, i thërritnin të zotit të shtëpisë e i thoshin: “Qite jashtë atë burrin që ka hyrë tek ti e ta përdhunojmë”! 23 Doli plaku e u tha: “Mosni, vëllezër, mos e bëni këtë të keqe, sepse ka hyrë në shtëpinë time si mik! Hiquni prej kësaj marrëzire! 24 Vajzën e kam virgjër e ky njeriu e ka ja: po i qes ato tek ju, poshtroni e bëjuni ç’të doni, por ju lutem mos e bëni këtë poshtërsi kundër këtij njeriu”. 25 Por njerëzit nuk deshën t’ia dëgjojnë fjalën. Ky njeriu, kur pa si qëndron puna, mori ja e vet e ua qiti jashtë. E shpërdoruan gjithë natën dhe e munduan e në mëngjes e lëshuan.

26 Gruaja, në të dalë të dritës, arriti te dera e shtëpisë, ku ishte zotëria i saj, dhe aty ra grumbull. 27 Në mëngjes njeriu u çua, hapi derën për të vazhduar rrugën që kishte marrë, dhe ja, ja e tij ishte grumbull para dere, me duar të shtrira në prag të derës. 28 Ai i foli: “Ngrihu të nisemi”! Por ajo nuk i përgjigjej. Kur pa se ajo kishte vdekur, e kapi, e ngarkoi në gomar dhe u kthye në shtëpinë e vet. 29 Kur hyri në shtëpi, mori shpatën dhe kufomën e gruas së vet, duke e prerë gjymtyrë ‑ gjymtyrë, e ndau në dymbëdhjetë pjesë dhe i dërgoi në të gjitha vendet e izraelitëve. 30

Kushdo që e shihte këtë shëmtim, thoshte: “Kurrë s’është bërë as s’është parë një gjë e tillë në Izrael që prej ditës kur etërit tanë dolën prej Egjiptit e deri më sot”! Ky u kishte urdhëruar njerëzve që i kishte dërguar, të thoshin: “Thoni kështu çdo burri izraelas: a ka ndodhur një gjë e tillë ndonjë herë tjetër që prej ditës kur bijtë e Izraelit dolën prej Egjiptit e deri më sot? Mendoni, këshillohuni e thoni ç’duhet bërë”.

Gjyqtarët: 20. Izraelitët marrin mbi vete hakmarrjen për krimin e Gabasë

20

1 Dolën, pra, të gjithë bijtë e Izraelit e u bashkuan të gjithë si një, prej Danit e deri në Bersabé e në tokën e Galaadit, pranë Zotit në Masfë. 2 Krerët e mbarë popullit e të gjitha fiset e Izraelit u mblodhën në bashkimin e mbarë bashkësisë së popullit të Hyjit: katërqind mijë këmbësorë të aftë për shpatë. 3 E morën vesh edhe bijtë e Beniaminit se izraelitët kishin dalë në Masfë.

Leviti, burri i gruas së vrarë, i pyetur, si mund u bë një krim kaq i madh, 4 u përgjigj: “Erdha në Gaba të Beniaminit dhe aty po kaloja natën. 5 Kur ja, njerëzit e atij qyteti e rrethuan shtëpinë ku po buja. Mua deshën të më vrisnin e gruan, të shtyrë prej furisë së një fëlligështie të pabesueshme, e dhunuan derisa vdiq. 6 E mora, e preva pjesë‑pjesë e copat i shpërndava gjithkund në krahinat e pronës së Izraelit, sepse kanë bërë poshtërsi e kob në Izrael. 7 Këtu jeni të gjithë, o izraelitë, vendosni ç’duhet të bëni”!

8 Mbarë populli u ngrit në këmbë si një njeri i vetëm e thanë: “Askush prej nesh s’do të kthehet në tenda, askush s’do të hyjë në shtëpi! 9 Dhe ja, çfarë do t’i bëjmë Gabasë: do të hedhim short: 10 le të zgjidhen dhjetë vetë ndër njëqind vetë nga secili fis i Izraelit, njëqind ndër një mijë dhe një mijë ndër dhjetë mijë që t’i sjellin ushtrisë ushqime, atyre që do të shkojnë për ta ndëshkuar Gabanë e Beniaminit siç e meriton për kobin që ka bërë”. 11 Mbarë Izraeli u bashkua si një trup i vetëm kundër qytetit, të gjithë të një mendimi.

Kundërshtimi i Beniaminëve

12 Atëherë dërguan kasnecë në mbarë fisin e Beniaminit me këto fjalë: “Çfarë kobësie u gjend ndër ju! 13 Dorëzoni njerëzit e poshtër të Gabasë që e bënë këtë emnesë e t’i vrasim: të zhduket e keqja prej Izraelit!”

Por ata s’deshën të dëgjojnë urdhrin e vëllezërve të vet, të bijve të Izraelit.

Luftimet e para

14 Beniaminët u bashkuan prej të gjitha qyteteve të veta në Gaba për t’u ndihmuar atyre e për të luftuar kundër mbarë popullit të Izraelit. 15 U shkruan atë ditë njëzet e gjashtë mijë burra të aftë për shpatë prej qyteteve të Beniaminit pa numëruar burrat e Gabasë që ishin shtatëqind burra të zgjedhur për luftë. 16 Në mbarë këtë popull ishin shtatëqind burra të zgjedhur, që përdornin të majtën për të djathtën dhe gjuanin aq hollë me bahe, saqë mund të qëllonin qimen dhe gjuajtja me gur nuk u shkonte kot kurrsesi.

17 U numëruan edhe burrat e Izraelit, pa numëruar bijtë e Beniaminit, dhe dolën katërqind mijë burra të aftë për shpatë, të zotë për luftë. 18 U ngritën dhe erdhën në Betel, e këshilluan Hyjin dhe thanë: “Kush do të jetë në ushtrinë tonë prijësi i luftimit kundër Beniaminit”. Zoti iu përgjigj: “Juda le të niset i pari”.

19 Bijtë e Izraelit u çuan herët e ngulën fushimin përballë Gabasë. 20 Izraelitët dolën për të luftuar kundër Beniaminit dhe u vunë në rresht luftimi kundër qytetit. 21 Bijtë e Beniaminit dolën prej Gabasë dhe atë ditë i vranë prej bijve të Izraelit njëzet e dy mijë vetë. 22 Përsëri bijtë e Izraelit i përtërinë fuqitë po në atë vend, ku luftuan më parë, dhe u vunë në rresht luftimi, 23 porse më parë ishin ngjitur e ishin qarë para Zotit deri në mbrëmje dhe e këshilluan Zotin e thanë: “A duhet të vazhdoj gjithnjë luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllezërve të mi, apo jo”? E ai iu përgjigj: “Sulmoni”!

24 Kur të nesërmen bijtë e Izraelit dolën në luftim kundër bijve të Beniaminit, 25 bijtë e Beniaminit shpërthyen nga Gabaja dhe, kur u ndeshën, lanë rrah përdhe edhe tetëmbëdhjetë mijë burra, mjeshtër të shpatës.

26 Për këtë arsye të gjithë bijtë e Izraelit, populli mbarë, erdhën në Betel dhe aty ndenjur para Zotit qanin. Agjëruan atë ditë deri në mbrëmje dhe i kushtuan fli shkrumbimi e fli paqeje dhe 27 pyetën për gjendjen e vet. Aty asokohe ishte Arka e Besëlidhjes së Hyjit, 28 e Fineesi, biri i Eleazarit, bir i Aronit, qëndronte pranë saj. U këshilluan, pra, me Zotin e thanë: “A na duhet të dalim prapë në luftë kundër bijve të Beniaminit, vëllezërve tanë, apo të mos dalim?” Zoti u përgjigj: “Sulmoni, se nesër do t’jua lëshoj në duart tuaja”.

Humbjet dhe shfarosja e Beniaminit

29 Atëherë Izraeli vuri pritat gjithkund përreth Gabasë 30 dhe për të tretën herë, si herën e parë e herën e dytë, e rreshtuan ushtrinë kundër Beniaminit e Gabasë. 31 Por edhe bijtë e Beniaminit u sulën të ndeshen me popullin dhe të shkëputur prej qytetit filluan t’i presin disa prej tyre si ditën e parë e ditën e dytë, që u vunë në të ikur nëpër dy rrugë: njëra çonte në Betel e tjetra në Gaba dhe i shtruan përdhe afërsisht tridhjetë vetë. 32 Kujtuan se po i vrasin si zakonisht; por izraelitët u shtirën se po iknin po qëllimi i tyre ishte që t’i shkëputnin prej qytetit dhe t’i bënin të dilnin në fushë të larë. 33 Kështu të gjithë bijtë e Izraelit u ngritën nga vendi i vet dhe formuan rreshtin e luftimit në vendin që quhet Baaltamar. Po ashtu edhe pritat e lëshuan vendin e pritës, në krahun e perëndimit të Gabasë. 34 U lëshuan kështu kundër Gabasë dhjetë mijë burra të fortë, të zgjedhur në mbarë Izraelin. Lufta erdhi duke u ashpërsuar kundër bijve të Beniaminit, të cilëve nuk u shkonte ndër mend se nga çdo anë i priste vdekja. 35 Edhe Zoti i vrau në sy të izraelitëve dhe po atë ditë u vranë njëzet e pesë mijë e njëqind vetë, që të gjithë luftëtarë të aftë për shpatë.

36 Bijtë e Beniaminit, kur e panë se po humbnin, filluan të iknin. Kur i kishin parë izraelitët, u kishin lëshuar vend të iknin duke shpresuar në çetat e vëna në pritë përreth qytetit. 37 Ata, duke u ngritur papritmas prej pusisë, të sulmonin Gabanë. Këta hynë brenda në qytet menjëherë e i prenë të gjithë sa ndodheshin në qytet. 38 Bijtë e Izraelit u kishin dhënë shenjë atyre që vunë në pritë, që të ndeznin zjarr në mënyrë që, kur ta shohin tymin lart, ta kuptonin se ishte marrë qyteti. 39 Kështu, pra, bijtë e Izraelit, të vënë në rresht për luftim, kthyen shpinën e u vunë në ikje, e bijtë e Beniaminit, duke kujtuar se i thyen si në luftimin e parë, ia dolën t’i vrasin rreth tridhjetë vetë. 40 Porse, kur mbi qytet filloi të ngrihej shtylla e tymit, po edhe kur beniaminët u sollën e panë se flaka po i dilte në majë qytetit, 41 e kur burri i Izraelit e solli fytyrën faqe‑faqas me Beniaminin e nisi ta sulmojë, beniaminët i kapi tmerri se e panë që i piu e zeza. 42 Filluan të marrin rrugën drejt shkretëtirës, por edhe andej i ndiqnin kundërshtarët. Por edhe ata që e dogjën qytetin, u dolën përpara, 43 dhe kështu vriteshin nga të dyja anët dhe nuk i linin as të merrnin frymë. E shtruan truallin me kufoma deri në anën e lindjes së qytetit Gaba. 44 Mbetën të vrarë prej fisit të Beniaminit tetëmbëdhjetë mijë vetë, të gjithë burra të zgjedhur për luftë. 45 Ata pak që shpëtuan, ikën në shkretëtirë dhe u strehuan në shkëmbin që quhet Remon. Si të këpusnin vile rrushi, udhës i vranë edhe pesë mijë vetë. E, ndërsa po i ndiqnin këmbë për këmbë deri në Gadaam, i vranë edhe dy mijë të tjerë.

46 Kështu beniaminët që mbetën të vrarë atë ditë, qenë njëzet e pesë mijë vetë, të gjithë luftëtarë, të aftë për shpatë. 47 Mbetën gjallë vetëm gjashtëqind vetë që mund u shpëtuan e ikën në shkretëtirë. Qëndruan në qetat Remon katër muaj. 48 T’u ranë, pastaj, izraelitët beniaminëve nëpër qytete e t’i prenë të gjithë burrat, deri edhe bagëtitë, deri edhe çdo gjë që hasën, e prenë shpatë; të gjitha qytetet dhe fshatrat e beniaminëve i përpiu flaka e zjarrit.

Gjyqtarët: 21. Izraelitëve u dhimbsen beniaminët

21

1 Bijtë e Izraelit në Masfë bënë benë e thanë: “Askush prej nesh s’do t’u japë bijve të Beniaminit vajzë të veten për grua”.

2 Shkoi populli në Betel dhe atje, ndenjur para Zotit, qanin e dënesnin deri në mbrëmje. 3 Thoshin: “Pse, o Zot, Hyji i Izraelit, u bë kjo emnesë në popullin tënd që në ditën e sotme të shuhet një fis i Izraelit”?

4 Të nesërmen u zgjuan herët në mëngjes, ndërtuan një lter, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi 5 dhe thanë: “A është ndokush që nuk erdhi në kuvendin e dheut në Masfë te Zoti prej fiseve të Izraelit”? Kishin bërë be të madhe dhe ishin lidhur t’i vrisnin ata që nuk do të vinin në mbledhje para Zotit në Masfë.

6 Tani izraelitët kishin dhembje për vëllanë e vet Beniaminin e nisën të thonë: “Sot u hoq një fis prej Izraelit. 7 Çfarë të bëjmë që, ata që mbetën gjallë, të mund të martohen? Sepse të gjithë së bashku u përbetuam me emrin e Zotit se nuk do t’u japim bijat tona”. 8 Prandaj thanë: “Kush është ai nga mbarë fiset e Izraelit i cili nuk erdhi te Zoti në Masfë”? U gjet se nuk kishte ardhur në mbledhje askush prej Jabesit të Galaadit, 9sepse, kur u numërua populli, askush nuk ishte aty prej banorëve të Jabesit të Galaadit. 10 Prandaj mbledhja i dërgoi atje dhjetë mijë burra të zgjedhur për trimëri dhe u urdhëroi: “Shkoni e vritni banorët e Jabesit në Galaad me tehun e shpatës, si trimat, ashtu edhe gratë dhe fëmijët. 11 Ja si do të veproni: Të gjithë meshkujt edhe gratë që të kenë bërë shtrat me burrat, vritni! Mos i vritni vetëm të virgjërat”. 12 Në Jabes të Galaadit u gjetën katërqind vajza të pastra që s’kishin shkuar me burra, dhe i sollën në zemërimië në Silo, në tokën e Kanaanit.

13 Kuvendi dërgoi lajmëtarë te bijtë e Beniaminit, që ishin në qetën Remon, dhe u shpallën paqen. 14 Kështu u kthyen atëherë bijtë e Beniaminit dhe ua dhanë për gra bijat e Jabesit të Galaadit. Të tjera nuk patën për t’ua dhënë në këtë mënyrë.

Grabitja e vajzave të Silos

15 Popullit i erdhi shumë keq për beniaminët, sepse Zoti bëri një zbrazëti mes fiseve të Izraelit. 16 Atëherë thanë prijësit e bashkësisë: “Si do t’ia bëjmë për të tjerët që mbetën pa gra, pasi u vranë të gjitha gratë e fisit të Beniaminit”? 17 E vazhduan: “E pra, na duhet të ruajmë ç’ka shpëtuar prej beniaminëve që të mos shuhet asnjë fis në Izrael. 18 E ne nuk mund t’ua japim bijat tona, sepse jemi lidhur me këtë përbetim: ‘Qoftë mallkuar kush do t’u japë vajzë të veten për grua beniaminëve!” 19 Bënë këshillim dhe thanë: “Ja, çdo vit bëhet festë për nder të Zotit në Silo, që është në veri të Betelit, në lindje të rrugës që çon në Sikem, në jug të qytetit Lebonë”. 20 U urdhëruan bijve të Beniaminit e u thanë: “Shkoni e fshihuni në vreshta. 21 Kur t’i shihni vajzat e Silos se po shkojnë për të luajtur valle, siç e kanë zakon, dilni papritmas prej vreshte e grabitni secili nga një vajzë dhe ikni në tokën e Beniaminit. 22 E kur etërit e tyre ose vëllezërit të vijnë te ne për t’u ankuar kundër jush, ne do t’u themi: ‘Na falni ne dhe ata: ata morën secili nga një grua si në luftë; e ju, po t’ua kishit dhënë, do të kishit mëkatuar’”.

23 Bijtë e Beniaminit bënë siç u qe urdhëruar dhe, sipas numrit të tyre, grabitën prej atyre që po luanin valle, secili nga një grua. Pastaj shkuan secili në pronën e vet, ndërtuan qytete dhe banuan në to.

24 Atëherë izraelitët u shpërndanë secili në fisin e vet dhe secili në pronën e vet.

25 Asokohe nuk kishte mbret në Izrael, por secili bënte atë që i dukej se është e drejtë.