2 i Mbretërve: 1. Moabi

1

1 Moabi u çua në kryengritje kundër Izraelit pasi vdiq Akabi.

2 Okozia u rrëzua prej ballkonit të dhomës së vet të lartë që e kishte në Samari, u bë i lig dhe dërgoi lajmëtarë me këtë porosi: “Shkoni e pyeteni Beelzebubin, zotin e Akaronit, a do të shërohem nga kjo sëmundje”.

3 Atëherë engjëlli i Zotit foli me Elinë e Tesbiut: “Çohu e dilu para lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe thuaju: Pse a nuk ka Hyj në Izrael që po shkoni për ta pyetur Beelzebubin, zotin e Akaronit? 4 Për këtë arsye thotë Zoti kështu: Prej shtrojës në të cilën ke rënë, s’do të çohesh, por do të vdesësh”! Dhe Elia u largua.

5 Lajmëtarët u kthyen tek Okozia, dhe ky i pyeti: “Pse u kthyet”? 6 Ata iu përgjigjën: “Na doli përpara një njeri e na tha: Shpejt kthehuni te mbreti që ju ka dërguar, e thuajini: ‘Kështu thotë Zoti: A thua pse nuk paska Hyj në Izrael, po dërgon të pyetet Beelzebubi, zoti i Akaronit? Prandaj, prej shtratit në të cilin ke rënë, nuk do të çohesh, por do të vdesësh’”! 7 Mbreti i pyeti: “Si ishte nga pamja dhe veshja ai njeri që ju doli përpara e ju tha këto fjalë”? 8 Ata iu përgjigjën: “Ishte njeri i veshur me gëzof dhe i ngjeshur me rrip lëkure rreth ijëve.” Ai tha: “Është Eli Tesbiti”!

9 Atëherë mbreti dërgoi kundër Elisë pesëdhjetarin me pesëdhjetë ushtarët e tij. Ky shkoi tek ai dhe e gjeti duke ndenjur në majë të malit. Oficeri i tha: “Njeri i Hyjit, mbreti ka urdhëruar të zbresësh”! 10 Elia u përgjigj e i tha pesëdhjetarit: “Nëse unë jam njeri i Hyjit, le të zbresë prej qiellit zjarri e le të të përpijë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu!” E zjarri ra prej qiellit dhe e përpiu atë me pesëdhjetë njerëzit që ishin me të. 11 Mbreti sërish dërgoi një pesëdhjetar tjetër me pesëdhjetë njerëz të tjerë. Ky i tha Elisë: “Njeri i Hyjit, kështu urdhëron mbreti: ‘Hajde, zbrit’”! 12 Elia iu përgjigj: “Nëse unë jam njeri i Hyjit, le të zbresë zjarri prej qiellit e le të të përpijë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit e tu”! Ra, pra, prej qiellit zjarri i Hyjit, e përpiu atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij. 13 Mbreti dërgoi përsëri pesëdhjetarin e tretë me të pesëdhjetë ushtarët e tij. Por ky, kur erdhi, ra në gjunjë para Elisë, iu lut e i tha: “Njeri i Hyjit, mos e bëj për asgjë jetën time dhe jetën e këtyre pesëdhjetë vetave, shërbëtorëve të tu, që janë me mua. 14 Ja, ka zbritur zjarri prej qiellit e i ka përpirë dy pesëdhjetarët e parë dhe nga pesëdhjetë ushtarët që ishin me ta: tani po të lutem që të kesh dhimbje për jetën time”.

15 Engjëlli i Zotit foli me Elinë e i tha: “Zbrit me të e mos ki frikë”! Elia u çua e zbriti me të te mbreti 16 dhe i tha: “Kështu thotë Zoti: Meqenëse i dërgove kasnecët për të pyetur Beelzebubin, zotin e Akaronit, sikur të mos kishte Hyj në Izrael, për të kërkuar fjalën e tij, prej shtratit në të cilin je shtruar, nuk do të ngrihesh, por me siguri do të vdesësh”.

17 Okozia vdiq sipas fjalës së Zotit që e tha Elia. Pasi nuk la djalë, në këmbë të tij u bë mbret Jorami, vëllai i tij, në vitin e dytë të mbretërisë së Joramit, birit të Jozafatit, mbretit të Judës.

18 Veprat e tjera të Okozisë që i bëri, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

2 i Mbretërve: 2. Rrëmbimi i Elisë që lë për pasardhës Elizeun

2

1 Ja çfarë ndodhi kur Zoti e ngriti Elinë në qiell në vorbull. Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën. 2 Elia i tha Elizeut: “Rri ti këtu, sepse mua Zoti po më dërgon deri në Betel”. Por Elizeu iu përgjigj: “Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. ”. Kur zbritën në Betel, 3 bijtë e profetëve, që ishin në Betel, i dolën para Elizeut e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde”? Ai u përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni!” 4 Elia i tha: “Elize, qëndro këtu, sepse Zoti po më dërgon në Jerik ”. Ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm”. Kur arritën në Jerik, 5 iu afruan Elizeut bijtë e profetëve që ishin në Jerik, e i thanë: “A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde”? Ai iu përgjigj: “Edhe vetë e di, po heshtni”! 6 Elia i tha Elizeut: “Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan”. Ky iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm”. Kështu shkuan së bashku.

7 Pesëdhjetë vetë nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre.

Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani. 8 Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut. 9 Kur kaluan matanë, Elia i tha Elizeut: “Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje”. Elizeu iu përgjigj: “Të lutem të vijnë mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd”.

10 Ai u përgjigj: “Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh”. 11 Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, dhe ja, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.

12 Elizeu e shikonte e bërtiste: “Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij”! Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë. 13 E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit. 14 Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha: “Ku është tani Hyji i Elisë”? I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.

15 Kur e panë bijtë e profetëve që ishin përballë në Jerik, thanë: “Shpirti i Elisë pushoi mbi Elizeun”. Ata i dolën përpara në takim, ranë me fytyrë përdhe para tij 16 dhe i thanë: “Ja këtu me shërbëtorët e tu edhe pesëdhjetë burra që janë të gatshëm të shkojnë e ta kërkojnë zotërinë tënd ndoshta Shpirti i Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal ose në ndonjë luginë”. Elizeu u tha: “Mos i nisni”! 17 Por ata iu vunë aq shumë, saqë pranoi dhe u tha: “Dërgoni”! Ata i nisën pesëdhjetë burrat. Pasi e kërkuan për tri ditë e nuk e gjetën, 18 u kthyen tek ai. Ai banonte në Jerik e u tha: “Po a nuk ju pata thënë: mos shkoni”!

Dy mrekulli të Elizeut

19 Banorët e qytetit i thanë Elizeut: “Ja, është bukur të banohet në qytet, siç po e sheh vetë, zotëri; porse mjerisht ujët është shumë të këq dhe toka e papëlleshme”. 20 E ai u tha: “Më sillni një enë të re dhe qitni në të kripë”! Kur ia sollën ata, 21 shkoi te burimi i ujit, e qiti kripën në të e tha: “Kështu thotë Zoti: Ja, e shërova ujët! Në të s’do të ketë më vdekje as shterpësi”! 22 Dhe u shërua uji deri më sot sipas fjalës që e tha Elizeu profet.

23 Prej andej Elizeu u ngjit në Betel. Ndërsa po ecte rrugës, i dolën para disa fëmijë të vegjël prej qytetit dhe e shpotitnin duke thënë: “Hajde, tullac! Hajde, tullac”! 24 Ky i shikoi e, kur i pa, i mallkoi në emër të Zotit. Dhe ja, dolën dy arinj nga pylli dhe i shqyen dyzet e dy fëmijë. 25 Prej andej shkoi në malin e Karmelit dhe prej andej u kthye në Samari.

2 i Mbretërve: 3. Mbretëria e Joramit në Izrael /852 841/

3

1 Jorami, biri i Akabit, u bë mbret mbi Izraelin në Samari në vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. 2 Bëri të keqen në sytë e Zotit, por jo si i ati dhe e ëma, sepse e hoqi gurin e Baalit që kishte punuar i ati. 3 Porse prapë vazhdoi të qëndrojë e nuk u largua prej mëkatit të Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.

Luftimi i izraelitëve dhe i judenjve kundër moabitëve

4 Meza, mbreti i moabitëve, ishte blegtor dhe, si tatim, i jepte mbretit të Izraelit njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve. 5 Por, kur vdiq mbreti Akab, mbreti i moabitëve u ngrit kundër mbretit të Izraelit.

6 Mu në atë kohë mbreti Joram doli prej Samarisë dhe kaloi nëpër mbarë Izraelin. 7 Atëherë u nis dhe çoi njerëz tek Jozafati, mbreti i Judës, me këto fjalë: “Mbreti i Moabit më doli dore. A do të vish me mua në luftë kundër Moabit”? Ai u përgjigj: “Do të vij. Kush është imi, është yti, populli im, është populli yt, kuajt e mi, kuaj të tu.” 8 E vazhdoi: “Cilës rrugë do të ngjitemi”? Ai iu përgjigj: “Nëpër shkretëtirën e Idumesë”.

9 Kështu, pra, u nisën mbreti i Izraelit, mbreti i Judës e mbreti i Edomit. Shtatë ditë u endën duke udhëtuar e nuk gjetën ujë as për ushtri as për bagëti që shkonin pas tyre.

10 Atëherë mbreti i Izraelit tha: “Eheu! Zoti na bashkoi ne tre mbretërit për të na lëshuar në duar të moabitëve”! 11 Jozafati pyeti: “A ka këtu ndonjë profet të Zotit që përmes tij ta pyesim Zotin”? Një prej shërbëtorëve të mbretit të Izraelit u përgjigj: “Këtu është Elizeu, biri i Safatit, që i qiste Elisë profet ujë duarve”. 12 Jozafati tha: “Në të është fjala e Zotit”. Shkuan tek ai mbreti i Izraelit, mbreti i Judës e mbreti i Edomit. 13 Por Elizeu i tha mbretit të Izraelit: “Çka kemi të përbashkët unë e ti? Shko te profetët e tët eti dhe te profetët e sat ëme”! Mbreti i Izraelit i tha: “Jo! Vërtet i bashkoi Zoti këta tre mbretër për t’i lëshuar në dorë të Moabit”?

14 Atëherë Elizeu i tha: “Pasha jetën e Zotit të ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte nderimi që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, ty s’do të të kisha pritur as s’do të të kisha shikuar me sy. 15 Tashti ma sillni një muzikë‑ tar”. Posa ia filloi muziktari të luajë në veglën muzikore, dora e Zotit zbriti mbi Elizeun. 16 I tha: “Kështu thotë Zoti: Hapni sa më shumë gropa në këtë luginë. 17 Sepse kështu thotë Zoti: S’do të shihni as erë as shi e kjo luginë do të mbushet me ujë. Do të pini ju dhe bagëtitë e kafshët tuaja. 18 Por kjo s’është asgjë në sytë e Zotit: për më tepër Zoti do ta dorëzojë Moabin në duart tuaja. 19 Do t’i shpartalloni të gjitha kalatë, do t’i pushtoni të gjitha qytetet e rëndë‑ sishme, do t’i prisni të gjitha pemët frutore, do t’i mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë”. 20 Kështu, pra, në kohën që paraqitet flia, ia behën ujërat prej anës së Edomit. Mbarë tokën e mbuloi uji.

21 Të gjithë moabitët, posa dëgjuan se kishin ardhur mbretërit për të luftuar kundër tyre, u bashkuan të gjithë ata që mund të ngjeshnin armët ‑ të rinj e pleq ‑ dhe iu ngjeshën kufijve. 22 Ditën e parë, kur u ngritën ‑ posa kishte lindur dielli mbi ujërat, moabitët panë së kundrualli ujërat e kuqe si të ishin gjak 23 e thanë: “Me siguri që qenka gjak! Paskan luftuar mbretërit kundër njëri‑tjetrit e qenkan vrarë me shpatë! Ku e latë, o moabitë! Vraponi në plaçkë”! 24 Por kur arritën në fushimin e Izraelit, mbarë Izraeli u sul kundër moabitëve që u kthyen shpinën e ikën. Izraelitët nuk iu ndanë, por i ndoqën moabitët e i vranë. 25 Ua rrënuan qytetet dhe arat e mira ua prishën duke hedhur secili gurë e duke i mbushur, ua mbyllën burimet e ujërave e ua prenë të gjitha pemët frutore. Kishin mbetur vetëm muret e Cirharesetit. Edhe atë e rrethuan bahetarët dhe e sulmuan. 26 E kur mbreti i Moabit pa se s’do të mund t’u qëndronte, mori me vete shtatëqind shpatëtarë për t’iu sulur mbretit të Edomit, por nuk ia dolën. 27 Atëherë e mori djalin e vet të parëli‑ ndurin, që do të ishte trashëgimtari i tij, dhe mbi murin e qytetit e kushtoi fli shkrumbimi. Kjo gjë u shkaktoi aq neveri izraelitëve, saqë menjëherë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e vet.

2 i Mbretërve: 4. Vaji i vejushës

4

1 Një grua, prej grave të bijve të profetëve, i lutej Ehlizeut e i thoshte: “Shërbëtori yt, burri im, ka vdekur, e ti e di se shërbëtori yt ka qenë njeri që e ka dashtur Zotin. Dhe ja, ka ardhur huadhënësi për të m’i marrë dy djemtë e mi për t’i bërë skllevër.” 2 Elizeu iu përgjigj: “Po çka do që të bëj për ty? Çka ke në shtëpinë tënde? Më trego!” Ajo iu përgjigj: “Shërbëtorja jote s’ka asgjë tjetër në shtëpinë e vet përveç një poçi të vogël me vaj”. 3 Ai i tha: “Shko e merr hua prej të afërmve të tu enë të zbrazëta sa më shumë që të mundesh. 4 Hyr në shtëpi dhe mbylle derën pas vetes. Kur të jesh brenda ti dhe fëmijët e tu, diko prej tij në to. Secilën enë që ta mbushësh nxirre në një anë”.

5 Shkoi, pra, gruaja, e mbylli derën pas vetes e pas fëmijëve të vet. Ata i sillnin enët e ajo i mbushte. 6 Kur i mbushi enët, i tha djalit të vet: “Më sill edhe një enë”. Ai iu përgjigj: “S’kam më”! Vaji u ndal. 7 Gruaja erdhi e i tregoi njeriut të Hyjit. Ai i tha: “Shko e shite vajin e ktheja detyrën huadhënësit tënd, kurse ti e djemtë e tu jetoni me vajin që do t’ju teprojë”.

Elizeu, sunamitja dhe djali i saj

8 Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë që kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. 9 Ajo i tha burrit të vet: “Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë.

10 Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje”.

11 Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty.

12 Elizeu i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: “Thirre këtë sunamite”. Ky e thirri dhe, kur erdhi ajo, 13 Elizeu i tha shërbëtorit: “Thuaji: Ti po kujdesesh shumë për ne. Çfarë do që të bëj edhe unë për ty? A mos e ke ndonjë nevojë e do që të flas një fjalë me mbretin ose me të parin e ushtrisë”? Ajo iu përgjigj: “Jetoj e qetë në mes të njerëzve të mi”. 14 Ai tha: “Po ç’dëshiron që të bëj për të”, E Gjiezi tha: “E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar”.

15 Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. 16 Elizeu i tha: “Në këtë kohë, sot një vjet, djalin do ta shtrëngosh në parzmin tënd”! Por ajo u përgjigj: “Jo, zotëria im, jo, mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Hyjit”! 17 Por gruaja me të vërtetë ngjizi dhe vitin e dytë po në atë kohë, lindi djalin, ashtu siç i tha Elizeu.

18 Fëmija u rrit dhe një ditë doli të shkonte tek i ati ndër korrtarë. 19 I tha t’et: “Koka ime! Koka ime”! Ai i tha shërbëtorit: “Merre djalin e çoje tek e ëma. ”. 20 E mori dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mori djalin në prehër dhe e mbajti ashtu deri në mesditë dhe atëherë i vdiq. 21 Ajo u ngjit dhe e vendosi djalin në shtratin e njeriut të Hyjit dhe e mbylli derën. Doli jashtë, 22 e thirri burrin e vet dhe i tha: “Çoje, po të lutem, me mua njërin prej shërbëtorëve dhe gomaricën që të vrapoj deri te njeriu i Hyjit dhe do të kthehem”. 23 Ai i tha: “Pse po shkon sot? S’është as hëna e re as e shtunë!” Ajo iu përgjigj: “Lametë‑ nzonë”! 24 E shaloi gomaricën dhe i urdhëroi shërbëtorit: “Prij e grahu këmbëve! Mos u ndal askund pa të thënë unë”.

25 U nis pra, dhe arriti te njeriu i Hyjit në malin e Karmelit. Kur e pa së kundrualli njeriu i Hyjit, i tha Gjiezit, shërbëtorit të vet: “Ja, po vjen ajo sunamitja. 26 Shpejto dili përpara dhe thuaj: A je mirë ti? Si është burri dhe si e ke djalin”? Ajo iu përgjigj: “Mirë”! 27 Por kur arriti te njeriu i Hyjit në mal, ra përmbys te këmbët e Elizeut dhe ia pushtoi. Gjiezi u afrua për ta larguar, por njeriu i Hyjit i tha: “Mos e luaj, se e paska shpirtin në pikëllim të madh e Zoti ma ka fshehur mua e nuk më ka treguar”.

28 Ajo i tha: “Vallë, a kam kërkuar unë djalë prej imzotit?

Pse, a nuk të pata thënë: Mos luaj me mua!?” 29 Elizeu i tha Gjiezit: “Shtrëngo ijët e tua, merre shkopin tim dhe nisu! Nëse takon një njeri, mos e përshëndet; nëse të përshëndet kush, mos iu përgjigj. Vër shkopin tim mbi djaloshin”. 30 Porse nëna e fëmijës tha: “Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, nuk të lëshoj”. Ai u ngrit dhe shkoi me të.

31 Gjiezi kishte shkuar përpara dhe e kishte vënë shkopin përmbi fëmijën, por fëmija s’kishte dhënë zë as shenja jete.

U kthye ta takojë dhe i tha: “Djaloshi nuk u zgjua”!

32 Elizeu hyri në shtëpi dhe, ja, fëmija i vdekur ishte vig në shtratin e tij. 33 Hyri dhe e mbylli derën pas vetes e djaloshit dhe iu lut Zotit. 34 Hipi në shtrat dhe ra përmbi djaloshin, gojën e vet e vuri në gojën e djaloshit, sytë e vet mbi sytë e tij, duart e veta mbi duart e tij dhe u shtri mbi të. Trupi i djaloshit u nxeh. 35 Atëherë u ngrit dhe eci nëpër dhomë andej‑këndej, ra përsëri në shtrojë dhe u shtri përmbi fëmijën. Djaloshi teshi shtatë herë dhe i hapi sytë. 36 Elizeu e thirri Gjiezin dhe i tha: “Thirre sunamiten”! Ai e thirri. Kur erdhi tek Elizeu, ky i tha: “Merre djalin tënd”!

37 Ajo u afrua, ra përmbys te këmbët e tij dhe e nderoi me fytyrë përdhe. E mori djalin e vet e doli jashtë.

Kusia e helmuar

38 Elizeu u kthye në Galgalë. Vendin e kishte kapur uri e madhe. Bijtë e profetëve banonin tek ai. Elizeu i tha sherbëtorit të vet: “Vëre kusinë e madhe e ziej diçka për të ngrënë bijtë e profetëve”. 39 Njëri prej tyre doli në fushë për të mbledhur barishte të egra. Gjeti një pemë kacavjerrëse si hardhi e egër dhe mblodhi prej saj fruta të idhëta. Me to e mbushi leshnikun e vet, u kthye dhe i thërmoi në kusi: por nuk dinte se ç’ishin. 40 Pastaj ua zbrazën njerëzve që të hanë. Kur e kërkuan hajen, bërtitën e thanë: “Vdekja në kusi, njeri i Hyjit”! Dhe nuk mundën të hanin. 41 Elizeu u tha: “Më sillni miell”! Kur ia sollën, e qiti në kusi e tha: “Zbrazu njerëzve le të hanë”! Dhe në kusi s’pati më asgjë të keqe.

Shumëzimi i bukëve

42 Erdhi një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu tha: “Ndaju njerëzve të hanë”! 43 Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve”? Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe to t’u teprojë’!” 44 Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit.

2 i Mbretërve: 5. Shërimi i Naamanit

5

1 Naamani, prijësi i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte njeri me rëndësi të madhe në sytë e zotërisë së vet dhe i nderuar shumë, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Sirinë; porse ky trim i mirë ishte i gërbulur.

2 Në një çetim që bënë disa prej Sirisë, grabitën edhe një vajzë të re nga dheu i Izraelit dhe kësaj i takoi të bëhej shërbëtore e gruas së Naamanit. 3 Kjo po i thotë zonjës së vet: “Oh, sikur t’i drejtohej imzot profetit që është në Samari! Me siguri do ta shëronte nga gërbula e tij”!

4 Naamani shkoi dhe i tha zotërisë së vet: “Kështu e kështu ka thënë një vajzë prej Izraelit”. 5 Mbreti i tha: “Ti nisu për rrugë! Unë do t’i shkruaj mbretit të Izraelit një letër.” Naamani u nis. Me vete mori dhjetë talenta argjend, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë petka ndërrimi. 6 Ia dorëzoi letrën mbretit të Izraelit. Në të thuhej: “Posa ta marrësh këtë letër, dije se e kam dërguar shërbëtorin tim Naamanin që ta shërosh prej gërbulës së tij”.

7 Kur e lexoi letrën mbreti i Izraelit, i shqeu petkat e veta dhe tha: “A mos jam unë Perëndi që të mund të vras e të ngjall, që të dërgojë ky tek unë për t’ia shëruar njeriun prej gërbulës? A po shihni se s’kërkon tjetër pos rast për të m’u ngatërruar”!

8 Por kur Elizeu, njeriu i Hyjit, mori vesh se mbreti i Izraelit i kishte shqyer petkat e veta, dërgoi t’i thoshin mbretit: “Pse i shqeve petkat e tua? Le të vijë tek unë e le ta dijë se ka profet në Izrael”!

9 Naamani shkoi me kuaj e me karroca dhe zuri vend te dera e shtëpisë së Elizeut. 10 Elizeu i dërgoi një lajmëtar me këto fjalë: “Shko e lahu shtatë herë në Jordan: trupi yt do të shërohet e do të pastrohesh”. 11 Naamani u hidhërua dhe u nis duke turfulluar: “Unë mendoja se do të dilte tek unë, do të qëndronte para meje e do ta thërriste Emrin e Zotit, Hyjit të tij, mbi mua, do të ma prekte me dorën e vet vendin e gërbulës e do të më shëronte! 12 Pse a nuk janë më të mira Abana e Farfari, lumenjtë e Damaskut, se të gjitha ujërat e Izraelit për t’u larë në to e për t’u shëruar”?, dhe u kthye duke shfryrë i hidhëruar. 13 Por iu afruan shërbëtorët e tij e i thanë: “Po të të kishte urdhëruar profeti një punë të vështirë, patjetër se do ta kishe kryer; aq më tepër pasi tani të tha: ‘Lahu e do të pastrohesh’”.

14 Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.

15 Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd”. 16 Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr”. Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi.

17 I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit. 18 Por Zoti le t’ia falë këtë sjellje shërbëtorit tënd: kur do të shkojë zotëria im në tempullin e Remonit për të adhuruar atje e do të mbështetet në dorën time, edhe unë do të bie në adhurim në tempullin e Remonit ndërsa ai të adhurojë; të lutem për këtë gjë le të më falë Zoti mua, shërbëtorin tënd.” 19 Elizeu iu përgjigj: “Shko në paqe”!

Pasi Naamani qe larguar jo shumë larg Elizeut, 20 Gjiezi, shërbëtori i njeriut të Hyjit, tha me vete: “Imzoti e nisi Naamanin, këtë sirian, e s’mori prej tij dhuratat që i solli.

Pasha Zotin, po i vihem vetë prapa e s’po e lë pa i marrë ndonjë gjë”.

21 Gjiezi iu vu pas Naamanit. Ky, kur e vuri re se po vraponte pas tij, zbriti prej karroce dhe u kthye ta takojë. I tha: “A është gjithçka mirë”? 22 Gjiezi iu përgjigj: “Mirë! Por imzoti më dërgoi të të them:’ Posa më erdhën dy djelmosha prej malit të Efraimit, dy prej bijve të profetëve. Po të lutem më jep për ta një talent argjendi dhe dy palë petka ndërrimi’”.

23 Naamani i tha: “Më mirë merri dy talenta”. Dhe iu vu t’i merrte. I lidhi në dy qese dy telentat, dha dy palë petka dhe ua dha dy shërbëtorëve të vet e këta i sollën para tij. 24 Kur arritën në kodër, Gjiezi i mori prej tyre dhe i vendosi në shtëpi: djelmoshat i nisi dhe ata u kthyen.

25 Gjiezi hyri te zotëria i vet e qëndroi para tij. Elizeu e pyeti: “Gjiezi, prej nga po vjen?” Iu përgjigj: “Shërbëtori yt nuk shkoi askund”. 26 Elizeu i tha: “Pse a nuk qeshë në shpirt aty unë kur një njeri zbriti nga karroca për të ardhur në takim me ty? A thua ishte koha të merrje argjend, petka, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore? 27 Ama edhe gërbula e Naamanit do të kalojë mbi ty e mbi farën tënde për amshim”! Dhe doli prej tij i gërbulur bardhë si bora!

2 i Mbretërve: 6. Sakica e humbur dhe e gjetur

6

1 Bijtë e profetëve i thanë Elizeut: “Vendi ku rrimë pranë teje është tepër i ngushtë për ne. 2 Po shkojmë deri në Jordan dhe secili do të marrë nga një lëndë e po ndërtojmë një godinë për të ndenjur”. Ai u tha: “Hajtni”! 3 Por njëri prej tyre i tha: “Eja edhe ti me ne, shërbëtorët e tu”. përgjigj: “Po vij”. 4 Dhe shkoi me ta. Si mbërritën te Jordani, zunë e po prisnin lëndë. 5 Por ndodhi që, ndërsa njëri po priste drurin, i ra sakica në ujë. Ai bërtiti: “Hoh, more, o Imzot! Po edhe e kam marrë hua, se”! 6 E njeriu i Hyjit e pyeti: “Ku ra”? Ai i tregoi vendin. Elizeu mori një copë dru, e hodhi në atë vend, dhe ja, sakica doli mbi ujë! 7 I tha: “Merre”! Ky shtriu dorën dhe e mori.

4. LUFTËRAT SIRIANE

Elizeu zë rob tërë një njësi ushtarake

8 Mbreti i Sirisë luftonte kundër Izraelit. U këshillua me shërbëtorët e vet e tha: “Në këtë vend e në këtë vend le t’i vëmë pritat”! 9 Njeriu i Hyjit dërgoi t’i thoshin mbretit të Izraelit: “Ruaj se kalon nëpër atë vend, se sirianët i ke në pritë”. 10 Mbreti i Izraelit dërgoi njerëzit e vet për të hetuar vendin e treguar prej njeriut të Hyjit. Kështu ky e vinte në dijeni e mbreti ruhej. Kjo ndodhi jo një herë e dy herë.

11 Zemra e mbretit të Sirisë u shqetësua fort për këtë punë, i thirri shërbëtorët e vet e i pyeti: “Pse nuk më tregoni kush është tradhtari im te mbreti i Izraelit”? 12 Njëri prej shërbëtorëve të tij i tha: “Askush, imzot mbret, por Elizeu profet që është në Izrael, i tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti i flet në dhomën tënde të fjetjes”.

13 Ai tha: “Shkoni e shihni ku gjendet që të dërgoj njerëz për ta kapur”. E lajmëruan e i thanë: “Ja, është në Dotain”! 14 Mbreti dërgoi atje kuaj, karroca e njësi të fortë ushtarësh.

Këta shkuan natën dhe e rrethuan qytetin.

15 Në mëngjes herët u ngrit shërbëtori i njeriut të Hyjit, doli jashtë dhe përreth qytetit pa ushtrinë, kuaj e karroca dhe njoftoi Elizeun e i tha: “Eheu, imzot, e ç’të bëjmë tani”? 16 Ai iu përgjigj: “Mos ki frikë! Shumë më shumë janë me ne se me ta. ”. 17 Atëherë Elizeu u lut e tha: “Hapja, o Zot, këtij sytë që të shohë”! Zoti ia hapi sytë shërbëtorit, dhe ja, përreth Elizeut mali ishte plot me kuaj e karroca zjarri.

18 Ndërkaq armiqtë zbritën drejt Elizeut që po i lutej Zotit: “Godite, po të lutem, këtë gjindje me verbësi”! E zoti i goditi që të mos shohin sipas kërkesës së Elizeut. 19 Elizeu u tha: “Nuk është kjo rruga as s’është ky qyteti. Ejani pas meje e do t’ju tregoj njeriun që kërkoni”. Kështu u priu dhe i çoi në Samari. 20 Pasi hynë në Samari, Elizeu tha: “O Zot, hapu sytë këtyre njerëzve që të shohin”. Zoti ua hapi sytë dhe atëherë panë se ishin në mes të Samarisë.

21 Kur i pa mbreti i Izraelit, i tha Elizeut: “A t’i vras, im atë”? 22 Por ai i tha: “Mos i godit! Sepse as ata që i zë rob me shpatën tënde dhe me harkun tënd, nuk i vret. Nxirr para tyre bukë e ujë! Le të hanë e lë të pinë dhe lë të kthehen te zotëria i vet”. 23 Mbreti u përgatiti darkë të madhe. Hëngrën e pinë dhe i nisi të shkonin. Ata kthyen te zotëria i tyre. Çetat e sirianëve nuk erdhën më në tokën e Izraelit.

Uria në Samarinë e rrethuar

24 Por, pas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Benadadi, mbreti i Sirisë, të bashkojë mbarë ushtrinë e vet. E sulmoi Samarinë dhe e vuri nën rrethim. 25 Në Samari u bë uri e madhe e rrethimi zgjati aq, sa një kokë gomari kushtonte tetëdhjetë sikla të argjendtë dhe e katërta pjesë e kabit të glasave të pëllumbave pesë sikla argjendi.

26Ndërsa mbreti po kalonte nëpër mure, një grua thirri: “Ndore tënde, Imzot, o mbret”! 27 Mbreti iu përgjigj: “Bjeri ndore Zotit! Sepse si mund të të ndihmoj unë? Prej lëmës apo prej shtrydhësit”?! E mbreti vazhdoi: “Çfarë kërkon?” Ajo u përgjigj: 28 ”Kjo grua më tha: ‘Bjere ta hamë sot djalin tënd e neser do të hamë djalin tim’. 29 E ziem, pra, djalin tim dhe e hëngrëm. Të nesërmen unë i thashë:’ Bjere djalin tënd që ta hamë’. Por kjo e fshehu djalin e vet”. 30 Kur i dëgjoi mbreti këto fjalë, i shqeu petkat e veta. Ndërsa po kalonte mbi mure, populli vuri re se kishte ngjeshur mbi mish grathoren. 31 Ai tha: “More, kështu e kështu e edhe më zi ma bëftë Zoti, nëse do t’i mbetet sot pa iu shkurtuar koka Elizeut, birit të Safatit”.

Elizeu kumton mbarimin e menjëhershëm të urisë

32 Elizeu po rrinte në shtëpinë e vet. Me të ishin edhe pleqtë. Mbreti kishte dërguar përpara një njeri. Por, para se të arrinte kasneci, Elizeu u tha pleqve: “A nuk e dini se biri i vrastarit ka dërguar njeriun për të ma shkurtuar kokën?

Kujdes, pra! Kur të vijë kasneci, mbylleni derën e mos e lini të hyjë. Ja, po dëgjoj krismën e këmbëve të zotërisë së tij pas tij”! 33 Dhe, ndërsa ai ende po fliste, ia behu mbreti që ishte nisur tek ai. Mbreti tha: “Ja, gjithë kjo e keqe e madhe vjen prej Zotit! Çfarë të pres më prej Zotit”?

2 i Mbretërve: 7. Zbulohet fushimi i braktisur i sirianëve

7

1 Por Elizeu iu përgjigj: “Dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu thotë Zoti: Nesër po në këtë kohë në derë të Samarisë një masë endë mielli do të jetë një sikël, kurse dy masë elbi do të kushtojnë një sikël”. 2 Prijësi, mbi krahun e të cilit mbështetej mbreti, u përgjigj e i tha njeriut të Hyjit: “Po si jo! Zoti Tani hap dritare në qiell! A mund të ndodhë një gjë e tillë”? Elizeu iu përgjigj: “Me sy të tu do të shohësh, por ti nuk do të hash”!

Zbulohet fushimi i braktisur i sirianëve

3 Para derës së qytetit ishin katër njerëz të gërbulur. Ata i thanë njëri‑tjetrit: “Pse qëndrojmë këtu derisa të vdesim? 4 Nëse do të hyjmë në qytet, do të vdesim urie, nëse qëndrojmë këtu, prapë na duhet të vdesim. Të çohemi e të shkojmë në fushimin e sirianëve! Nëse do të na falin, do të jetojmë, po nëse na vrasin, të vdekur se të vdekur”! 5 U çuan, pra, në mbrëmje për t’u futur në fushimin e sirianëve. Arritën buzë fushimit të sirianëve, kur atje ‑ askush!

6 Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushimin e sirianëve një krismë karrocash, kuajsh dhe zhurmë të një ushtrie të madhe.

Sirianët i thanë njëri‑tjetrit: “Mbreti i Izraelit paska marrë me pagë mbretin e hetenjve e të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh”. 7 Kështu, pra, u çuan e ikën natën pa hënë, lanë çadra, kuaj, gomarë edhe fushimin ashtu siç ishte, e ikën për të shpëtuar disi vetëm jetën.

8 Kështu, kur erdhën ata të gërbulur buzë fushimit, hynë në njërën tendë dhe hëngrën e pinë. Morën pastaj argjend, ar e petka e shkuan e i fshehën. U kthyen sërish në një tjetër tendë dhe morën edhe prej andej po ashtu ç’u gjetën dhe i fshehën.

Përfundimi i rrethimit dhe i urisë

9 I thanë njëri‑tjetrit: “S’jemi duke punuar drejt. Kjo ditë është ditë sihariqi e ne po heshtim. Nëse nuk lajmërojmë deri në mëngjes, do të jemi fajtorë. Ejani të shkojmë e të lajmërojmë në pallatin e mbretit”. 10 Kur arritën, thirrën derëtarët e qytetit dhe u thanë: “Kemi shkuar në fushimin e Sirisë dhe nuk kemi gjetur njeri të gjallë, por vetëm kuaj e gomarë të lidhur dhe tendat e lëshuara”. 11 Derëtarët atëherë thirrën brenda qytetit dhe lajmi shkoi në pallatin mbretëror.

12 Mbreti u ngrit natën e u tha shërbëtorëve të vet: “Po ju vë në dijeni se ç’synojnë kundër nesh sirianët. E dinë se vuajmë nga uria, prandaj e kanë lëshuar fushimin e na kanë vënë pritat në fushë. Ata kanë pleqëruar: ‘Kur të dalin nga qyteti, do t’i kapim gjallë dhe kështu do të hyjmë në qytet’”. 13 Njëri prej oficerëve të tij iu përgjigj: “Po i marrim pesë kuajt që kanë mbetur në qytet. Po i gjetka ata çka do ta gjejë mbarë Izraelin që po shihet se po merr fund. Po i çojmë, pra, e po shohim”. 14 Atëherë i morën dy karroca me kuaj e mbreti i dërgoi pas ushtrisë siriane e u tha: “Shkoni e shikoni”! 15 Ata shkuan pas tyre deri në Jordan. Kur ç’të shohësh, mbarë rruga ishte plot petka e enë që sirianët i kishin hedhur rrugës duke ikur. Lajmëtarët u kthyen dhe i treguan mbretit.

16 Mbarë populli doli dhe e plaçkiti fushimin sirian. Dhe një masë endë mielli u bë dy sikla e dy masë elbi një sikël sipas fjalës së Zotit.

17 Mbreti ia kishte besuar rojën e derës së qytetit atij oficeri, në krahun e të cilit mbështetej. Porse populli e shtypi duke e shkelur në derë dhe vdiq sipas fjalës së njeriut të Hyjit, që ia tha kur mbreti zbriti tek Elizeu. 18 E njëmend ndodhi sipas fjalës së njeriut të Hyjit që ia tha mbretit, kur i tha: “Dy masë elbi një sikël e një masë endë mielli do të kushtojë neser në këtë kohë në derë të Samarisë vetëm një sikël”; 19 atëherë prijësi iu përgjigj njeriut të Hyjit e i tha: “Po edhe nëse Zoti hap dritare në qiell, a thua mund të ndodhë çfarë po thua ti?!” e Elizeu i pati thënë: “Mirë, pra! Ti do ta shikosh këtë gjë me sytë e tu, por nuk do të hash”! 20 Ndodhi, pra, krejtësisht ashtu siç i qe parakallëzaur, populli e shkeli në derë dhe ai vdiq.

2 i Mbretërve: 8. Përfundim lidhur me Sunamiten

8

1 Elizeu foli me gruan, djalin e së cilës e kishte kthyer në jetë, e i tha: “Çohu e shko ti dhe familja jote kudo në ndonjë vend të huaj e bëj vend për vete, sepse Zoti e ka thirrur urinë e do të vijë mbi këtë vend për shtatë vjet rresht”. 2 Kjo u çua e bëri si i tha njeriu i Hyjit. Me mbarë familjen e vet emigroi në tokën e filistenjve për shtatë vjet. 3 Kur kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye prej dheut të filistenjve. Ajo shkoi te mbreti për t’iu lutur që t’i kthehej shtëpia dhe toka.

4 Po atëherë mbreti po bisedonte me Gjiezin, shërbëtorin e njeriut të Hyjit e i thoshte: “M’i trego të gjitha punët e mëdha që i ka bërë Elizeu”. 5 Ndërkohë që ai po i tregonte mbretit se si e kishte ngjallur të vdekurin, ia behu gruaja, së cilës ia kishte ngallur djalin, për t’iu ankuar mbretit lidhur me shtëpinë dhe tokën e saj. Gjiezi tha: “Imzot, mbret! Qe gruaja dhe qe djali, të cilin e ngjalli Elizeu”! 6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo ia tregoi ngjarjen. Mbreti nisi me të një zyrtar dhe i urdhëroi: “Ktheji gjithçka është e saja si dhe të gjitha të ardhurat e tokave të saja që prej ditës kur e lëshoi vendin e deri më sot”.

Elizeu dhe Hazaeli në Damask

7 Elizeu shkoi në Damask. Benadadi, mbreti i Sirisë, ishte sëmurur. E lajmëruan e i thanë: “Njeriu i Hyjit ka ardhur këtu”. 8 Mbreti i tha Hazaelit: “Merr me vete dhurata dhe dili në takim njeriut të Hyjit. Pyete përmes tij Zotin e thuaji: A do të mund të shpëtoj prej kësaj sëmundjeje”?

9 Shkoi, pra, Hazaeli në takim me të e i solli dhurata prej gjithë të mirave të Damaskut: dyzet gamile të ngarkuara. Kur qëndroi para tij, i tha: “Yt bir Benadadi, mbreti i Sirisë, më dërgoi tek ti. Ai të pyet: ‘A do të mund të shpëtoj prej këso sëmundjeje’”? 10 Elizeu iu përgjigj: “Shko e thuaji: Do të shërohesh! Porse Zoti më ka treguar se me siguri do të vdesë”. 11 Atëherë Elizeu u ngri në fytyrë, u skuq, mbeti i hutuar e dikur njeriu i Hyjit ia plasi vajit. 12 Hazaeli e pyeti: “Pse, imzot, po qan”? Ai iu përgjigj: “Sepse i di të gjitha të këqijat që do t’ua bësh ti bijve të Izraelit! Ti do t’i djegësh qytetet e tyre të fortifikuara, të rinjtë e tyre do t’i presësh me shpatë, foshjave të tyre do t’ua përdredhësh arrçin, e gratë shtatzëna me thika do t’i shporosh”! 13 Hazaeli i tha: “Po kush jam unë, shërbëtori yt, një qen, që t’i bëj të gjitha këto”? Elizeu iu përgjigj: “Zoti më dëftoi se ti do të bëhesh mbret i Sirisë”.

14 Ky u nda nga Elizeu e shkoi te zotëria i vet. Ai e pyeti: “Ç’të tha Elizeu”? Ai iu përgjigj: “Më tha: Do të shërohesh”. 15 Por të nesërmen mori një mbulesë, e lagu në ujë, ia qiti mbi kokë dhe mbreti vdiq. Në vend të tij u bë mbret Hazaeli.

Mbretërimi i Joramit në Judë /848‑841/

16 Në të pestin vit të mbretërimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit ‑ mbret i Judës ishte ende Jozafati ‑ Jorami, biri i Jozafatit, mbretit të Judës, u bë mbret. 17 Kishte tridhjetë e dy vjet kur nisi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem tetë vjet. 18 Eci udhëve të mbretërve të Izraelit, po ashtu siç kishte ecur shtëpia e Akabit; sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij. 19 Megjithatë, Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën për shkak të Davidit, shërbëtorit të vet, siç i ishte zotuar se do t’i jepte një dritëz atij dhe bijve të tij përgjithmonë.

20 Në ditët e tij Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën pushtetin e Judës dhe zgjodhi mbretin e vet. 21 Jorami shkoi në Seirë dhe me të mbarë karrocat e luftës. Natën u çua dhe i vrau edomasit që kishin rrethuar atë dhe prijësit e karrocave të luftës. Populli iku në çadrat e veta. 22 Prapëseprapë Edomi u shkëput nga pushteti i Judës deri në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput edhe Lobna.

23 Veprat e tjera të Joramit si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 24 Jorami pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Okozia, i biri.

Mbretërimi i Okozisë në Judë /841/

25 Në vitin e dymbëdhjetë të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbretit të Izraelit, u bë mbret Okozia, biri i Joramit, mbretit të Judës. 26 Okozia kishte njëzet e dy vjet kur filloi të mbretërojë. Mbretëroi vetëm një vit në Jerusalem. Emri i nënës së tij ishte Atalí. Ishte bija e Amriut, mbretit të Izraelit. 27 Eci udhëve të shtëpisë së Akabit dhe bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, gjithë si shtëpia e Akabit. Pai, ishtë gjak me të.

28 Ky shkoi me Joramin, birin e Akabit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramot Galaad. Sirianët e plagosën Joramin. 29 Ky u kthye në Jezrahel për t’u shëruar nga plagët që i bënë sirianët në Ramë kur po luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Atëherë Okozia, biri i Joramit, mbret i Judës, zbriti në Jezrahel për ta parë Joramin, birin e Akabit, sepse ishte i sëmurë.

2 i Mbretërve: 9. Një nxënës i Elizeut e shuguron mbret Jehuin

9

1 Elizeu profet thirri një nga bijtë e profetëve dhe i tha: “Ngjishe ijën tënde, merre këtë enë me vaj e shko në Ramot të Galaadit. 2 Kur të kesh arritur atje, do ta shohësh Jehuin, birin e Jozafatit të Namsiut, hyr brenda dhe thirre nga mesi i vëllezërve të vet e priji në dhomën e brendshme. 3 Merre enën e vajit, zbraze mbi kokë të tij e thuaj: Kështu thotë Zoti: ‘Të shugurova mbret mbi Izraelin’! Hape derën, ik e mos qëndro atje”.

4 Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot të Galaadit 5 e hyri brenda, dhe ja, prijësit e ushtrisë po rrinin. Tha: “Prijës, kam një fjalë me ty”. Jehui iu përgjigj: “Me cilin prej gjithë nesh”? Ai i tha: “Me ty, o prijës”! 6 Ai u çua dhe hyri në dhomë. Atëherë ai ia zbrazi enën e vajit mbi kokë e i tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Të shugurova mbret mbi popullin e Zotit, Izraelin. 7 Vritie familjen e Akabit, zotërisë tënd, për t’ua marrë gjakun shërbëtorëve të mi profetëve dhe gjakun e të gjithë shërbëtorëve që i vrau Jezabela. 8 Do ta shuaj mbarë familjen e Akabit dhe do t’i vras të gjithë meshkujt prej familjes së Akabit, të madh e të vogël në Izrael. 9 Shtëpinë e Akabit do ta gjejë si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit dhe porsi shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë. 10 E Jezabelën do ta hanë qentë në fushë, dhe askush s’ka për ta varrosur”. E hapi derën dhe iku.

Jehuin e shpallin mbret

11 Jehui doli te shërbëtorët e zotërisë së vet, të cilët i thanë: “A është gjithçka mirë? Pse erdhi tek ti ky marran”? Ai u tha: “E njihni njeriun dhe përrallat e tija”. 12 Por ata i thanë: “Gënjeshtër! Na e trego”. E ai u tha: “Kështu e kështu më ka biseduar e më tha:’ Kështu thotë Zoti: Të shugurova mbret mbi Izraelin’”.

13 Ata nxituan e i hoqën leshnikët e tyre dhe secili e shtroi nën këmbët e tija në shkallë, u ranë borive e brohoritën: “Jehiu është mbret”!

Jehui përgatitet për ta marrë pushtetin

14 Kështu, pra, Jehui, biri i Jozafat Namsiut, bëri përbetim kundër Joramit. Jorami e kishte mbrojtur, ai e mbarë Izraeli, Ramotin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, 15 dhe ishte kthyer për t’u shëruar në Jezrahel prej plagëve që kishte marrë nga sirianët duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Jehui foli: “Nëse, pra, jeni me mua, askush të mos dalë prej qytetit, që të mos shkojë e të lajmërojë në Jezrahel”.

16 Jehui hipi në karrocën e vet e u nis për Jezrahel. Atje Jorami lëngonte e Okozia, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë. 17 Rojtari që qëndronte në pyrgun e Jezrahelit, e pa togën e Jehuit duke ardhur dhe lajmëroi: “Po shoh një grumbull njerëzish”! Jorami urdhëroi: “Merr një kalorës e dërgoje para tyre për t’i pyetur: a po vini për paqe”? 18 Kalorësi shkoi para tij dhe e pyeti: “Kështu thotë mbreti: A është gjithçka në paqe?” E Jehui iu përgjigj: “Ç’punë ke ti me paqen? Kalo dhe eja pas meje”. Rojtari lajmëroi përsëri: “Rojtari ka arritur tek ata e nuk po kthehet”. 19 E nisi edhe kalorësin e dytë. Edhe ky kur arriti tek ata, tha: “Kështu thotë mbreti: A është paqe”? Jehui iu përgjigj: “Ç’punë ke ti me paqen? Kalo e eja pas meje”! 20 Rojtari lajmëroi: “Arriti deri tek ata, por nuk po kthehet. Porse vrapimi është si ai i Jehuit, birit të Namsiut: vrapon si të kish flatra”! 21 Jorami urdhëroi: “Mbërtheje karrocën”! E mbërthyen karrocën e tij. Jorami, mbreti i Izraelit, dhe Okozia, mbreti i Judës, dolën jashtë e hipën secili në karrocën e vet. U nisën në takim me Jehuin dhe u ndeshën me të në pronën e Nabotit jezrahelit.

Vrasja e Joramit

22 Kur e pa Jehuin, Jorami, i tha: “A është paqe, Jehu?” E ai iu përgjigj: “Çfarë paqeje! Kur vazhdojnë lavirësitë e Jezabelës, nënës sate, dhe shortitë e saja të shumta!” 23 Atëherë Jorami u kthye dhe, duke ikur, i tha Okozisë: “Tradhti, Okozi”! 24 Jehui ngrehu harkun me dorë dhe e goditi Joramin ndërmjet shpatullave. Shigjeta i doli nëpër zemër dhe ai u rrëzua në karrocën e vet. 25 Jehui i tha prijësit Badacer: “Kape dhe flake në arën e Nabotit jezrahelit! Të të bjerë ndër mend: unë e ti ishim bashkë me ata që dy e dy në karroca shkonin pas babait të tij Akabit, kur Zoti tha: 26 Gjakun e Nabotit e gjakun e bijve të tij, që e pashë dje ‑ thotë Zoti ‑ do ta marr po në këtë arë prej teje, thotë Zoti.’ Tani pra, kape e hidhe në arë sipas fjalës së Zotit”.

Vrasja e Okozisë

27 Kur e pa këtë Okozia, mbreti i Judës, iku në drejtim të Betganit. Jehui e ndoqi dhe dha urdhër: “Goditeni edhe këtë!” E plagosën edhe këtë në karrocën e tij në përpjetën e Gaverit afër Jeblaamit. Por ky ia doli të ikte deri në Magedo dhe aty vdiq. 28 Shërbëtorët e tij e vunë në karrocën e tij dhe e çuan në Jerusalem. E varrosën në varrezën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.

29 Në të njëmbëdhjetin vit të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbret mbi Judën u bë Okozia.

Vrasja e Jezabelës

30 Jehui po arrinte në Jezrahel. Kur mori vesh Jezabela për ardhjen e tij, i leu sytë, e stolisi kokën, e pa për dritareje 31 tek po hynte nëpër derë në qytet dhe tha: “Gjithçka mirë, o Zambri, vrasës i zotërisë tënd”?!

32 Jehui ngriti sytë nga dritarja e tha: “A është kush me mua, a është kush?” Dy a tre oborrtarë u kthyen drejt tij. 33 Ai u urdhëroi: “Hidheni poshtë”! Ata e hodhën poshtë. Gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt që e shqelmuan. 34 Jehui hyri brenda, hëngri dhe piu e atëherë tha: “Shkoni e shiheni atë të mallkuar dhe varroseni, se është bijë mbreti”! 35 Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën tjetër përveç kafkës, këmbëve dhe shuplakave të duarve. 36 U kthyen dhe i treguan. Jehui tha: “U plotësua fjala që e kishte thënë Zoti me gojën e Elisë nga Tesbiu, shërbëtorit të vet, që tha: ‘Në fushën e Jezrahelit qentë do ta hanë trupin e Jezabelës. 37 Trupi i Jezabelës do të jetë si pleh në fushën e Jezrahelit, kështu që të mos mund të thuhet as: ‘Po a kjo qenka ajo Jezabela’”!

2 i Mbretërve: 10. Vrasja e familjes mbretërorë të Izraelit

10

1 Akabi kishte në Samari shtatëdhjetë djem. Jehui shkroi letra dhe i dërgoi në Samari te kretët e qytetit, pleqtë dhe kujdestarët e djemve të Akabit. U thoshte: 2 “Posa t’i merrni këto letra, ju që keni të bijtë e zotërisë tuaj, karroca, kuaj, qytetin e pathyeshëm, dhe armët, 3 zgjidheni më të mirin e më të drejtin djalë të zotërisë tuaj, vëreni mbi fronin e t’et dhe luftoni për familjen e zotërisë tuaj”.

4 Por ata u trembën sa s’ka dhe thanë: “Ja, dy mbretër nuk qenë në gjendje ta përballojnë, e si do të mund t’i qëndrojmë ne”? 5 Këndej edhe i çuan fjalë Jehuit kujdestari i pallatit, kryetari i qytetit, pleqtë dhe kujdestarët e djemve. I thanë: “Jemi shërbëtorët e tu: do të bëjmë gjithçka të na urdhërosh. Mbret nuk do të shpallim askënd. Bëj si të të pëlqejë ty”.

6 Jehui u shkroi këtë letër të dytë: “Nëse jeni të mitë e nëse më dëgjoni: merrni kokat e njerëzve, të djemve të zotërisë tuaj, dhe ejani tek unë nesër në këtë orë në Jezrahel”. Tashti, shtatëdhjetë djemtë e mbretit ishin të ndarë ndër bujarët e qytetit që i edukonin. 7 Posa u arriti letra, i morën bijtë e mbretit dhe i vranë: shtatëdhjetë burra, kokat e tyre i vendosën në zymbyla dhe i çuan tek ai në Jezrahel.

8 Lajmëtari shkoi tek ai dhe e lajmëroi: “I kanë sjellë kokat e bijve të mbretit”. Ai u përgjigj: “Qitni ato në dy grumbuj te dera e qytetit deri nesër në mëngjes”. 9 Kur zbardhi drita, doli e, duke qëndruar në këmbë, i tha mbarë popullit: “Ju jeni të drejtë! Jam unë që jam ngritur kundër zotërisë tim dhe e kam vrarë! Por, kush i vrau të gjithë këta? 10 Shikoni, pra, tani se asnjë prej fjalëve të Zotit që i tha Zoti kundër shtëpisë së Akabit, nuk shkoi hupëse, por Zoti çoi në vend gjithçka tha me gojën e shërbëtorit të vet Elisë”. 11 Dhe Jehui i vrau të gjithë ata që kishin mbetur ende në Jezrahel, prej familjes së Akabit, të gjithë bujarët e tij, oborrtarët e tij dhe priftërinjtë e tij, sa s’la asnjë për be.

Vrasja e prijësve të Judës

12 U ngirt dhe hyri. Pastaj u nis për Samari. Kur arriti në udhë në Beteced të Barinjve, 13 i takoi vëllezërit e Okozisë, mbretit të Judës dhe i pyeti: “Kush jeni ju”? Ata iu përgjigjën: “Jemi vëllezërit e Okozisë. Po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit e bijtë e mbretëreshes Zonjë”.

14 Ai urdhëroi: “Kapini gjallë”! Pasi i zunë gjallë, i vranë te ubla e Betecedit: dyzet e dy burra dhe asnjë prej tyre nuk shpëtoi.

Jehui dhe Jonadabi

15 Pasi u nis prej andej, hasi në Jonadabin, birin e Rekabit, që ishte nisur në takim me të. E përshëndeti e pastaj e pyeti: “A është zemra jote e çiltër ndaj zemrës sime sikurse zemra ime është ndaj sates”? Jonadabi iu përgjigj: “Po”! “Nëse është ‑ i tha ‑ ma jep dorën”! Ai ia dha dorën e vet. Atëherë e mori me vete në karrocë 16 dhe i tha : “Eja me mua e do ta shohësh zellin që kam për Zotin”. Dhe vazhduan së bashku në karrocë 17 e shkuan në Samari. Jehui i vrau të gjithë ata që kishin shpëtuar prej familjes së Akabit e gjendeshin ende në qytet: s’la asnjë, sipas fjalës së Zotit që e kishte folur me gojën e Elisë.

Vrasja e besimtarëve të Baalit e rrënimi i tempullit të tij

18 Pastaj Jehui bashkoi mbarë popullin dhe i tha: “Akabi e ka nderuar Baalin pakëz, kurse unë do ta nderoj shumë. 19 Prandaj m’i thirrni tani që të vijnë tek unë të gjithë profetët e Baalit, të gjithë besimtarët e tij dhe të gjithë priftërinjtë e tij: të mos mungojë asnjë! Dua t’i kushtoj Baalit një fli të madhërishme. Kushdo të mungojë, s’do të jetojë”! Porse Jehui e bënte këtë gjë me dredhi për t’i zhdukur adhuruesit e Baalit. 20 Urdhëroi: “Shpallni mbledhje kremtore për nder të Baalit”. E shpallën.

21 Jehui dërgoi shpalljen në mbarë Izraelin dhe erdhën të gjithë adhuruesit e Baalit. S’mbeti pa ardhur asnjë për be.

Hynë të gjithë në tempullin e Baalit dhe u mbush shtëpia e Baalit fund e majë. 22 Jehui i tha kujdestarit të petkave:

“Sillni petkat për të gjithë adhuruesit e Baalit”. Ai ua solli petkat. 23 Si hyri Jehui dhe Jonadabi, biri i Rekabit, në tempullin e Baalit, u tha adhuruesve të Baalit: “Shikoni mirë në mos ka këtu, mes jush, ndonjë shërbëtor të Zotit. Le të jenë vetëm shërbëtorët e Baalit”!

24 Hynë për të kushtuar therore e fli shkrumbimi. Porse Jehui i kishte bërë gati tetëdhjetë vetë përjashta dhe u kishte urdhëruar: “Cilido prej jush që të lërë të ikë ndonjë prej atyre që unë do t’jua dorëzoj, jetën e të ikurit, do ta paguajë me jetën e vet”. 25 Pasi u krye flia e shkrumbimit, Jehui u urdhëroi rojave dhe prijësve ushtarakë: “Hyni dhe vritni: të mos shpëtojë asnjë”! Rojtarët dhe prijësit ushtarakë i prenë me shpatë dhe i shtruan rrah. Pastaj depërtuan në dabir të tempullit të Baalit. 26 E morën truporen e Baalit, e dogjën 27 dhe e thërmuan. Pastaj e rrënuan shtëpinë e Baalit dhe e bënë vendin e saj vend për të hedhur plehrat deri në ditën e sotme.

Mbretëria e Jehuit në Izrael /841‑814/

28 Kështu, pra, Jehui e zhduki prej Izraelit Baalin. 29 Megjithatë nuk iu shmang mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë: nuk u shkoq prej viçave të artë që ishin në Betel e në Dan.

30 Zoti i tha Jehuit: “Pasi e kreve me kujdes atë që është e drejtë para syve të mi dhe bëre gjithçka kisha në mendje kundër shtëpisë së Akabit, bijtë e tu do të rrinë mbi fronin e Izraelit deri në të katërtin brez”. 31 Porse mjerisht Jehui nuk qëndroi të ecte me gjithë zemër në ligjin e Zotit, Hyjit të Izraelit: nuk iu shmang mëkateve të Jeroboamit, i cili e kishte ngashnjyer Izraelin në mëkat.

32 Në atë kohë Zoti filloi të shqyejë copa toke prej Izraelit. Hazaeli i goditi izraelitët gjith‑ kund në kufijtë e tyre; 33 nga Jordani në krahun e lindjes pushtoi mbarë krahinën e Galaadit, të Gadit, të Rubenit, të Manaseut, që prej Aroerit, që është mbi përruan Arnon, Galaadin e Basanin.

34 Veprat e tjera të Jehuit si dhe gjithçka bëri, si dhe trimëritë e tij, vallë a nuk janë të shkruara këto në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 35 Edhe Jehui pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbret u bë i biri, Joakazi. 36 Koha gjatë të cilës mbretëroi Jehui mbi Izraelin në Samari, zgjati njëzet e tetë vjet.

2 i Mbretërve: 11. Historia e Ataljes

11

1 Atalja, nëna e Okozisë, kur pa se i kishte vdekur i biri, u çua dhe i vrau të gjithë pasardhësit mbretërorë. 2 Porse Josaba, bija e mbretit Joram, e motra e Okozisë, e mori Joasin, djalin e Okozisë, e vodhi prej djemve të mbretit që po i vrisnin, si dhe nanshoren e tij dhe i fshehu në dhomën e fjetjes prej syve të Ataljes, që të mos e vritnin. 3 Qëndroi i fshehur bashkë me nanshoren në Shtëpinë e Zotit për gjashtë vjet, gjatë kohës sa sundoi Atalja në vend.

4 Të shtatin vit Jojada i bashkoi urdhër‑ qindësit e harëve dhe të rojës trupore të mbretit, i futi te vetja në Shtëpinë e Zotit, lidhi me ta besëlidhje dhe i bëri të përbetoheshin në Shtëpinë e Zotit. Atëherë ua dëftoi të birin e mbretit 5 dhe u urdhëroi: “Ja ç’duhet të bëni: e treta juaj që hyn në shërbim të shtunën, le të ruajë te pallati mbretëror. 6 E dyta e tretë te dera Sur, kurse e treta e tretë, ajo që është te dera e sprasme e rojtarëve, le të bëjë roje të dera mbretërore. 7 Ndërsa dy njësitë e tjera që janë, ata që të shtunën dalin prej shërbimit, le të bëjnë roje në Shtëpinë e Zotit rreth mbretit. 8 Rrini rreth e rreth mbretit me armë në dorë. Kush të provojë të depërtojë rrethin tuaj në Tempull, le të vritet. Ngado që të shkojë mbreti, ju do të jeni me të.

9 Centurionët bënë ashtu si u kishte urdhëruar Jojada prift. Secili prej tyre mori njerëzit e vet, ata që të shtunën hynin në shërbim me ata që të shtunën dilnin nga shërbimi, dhe erdhën te Jojada prift. 10 Jojada ua dha centurionëve heshtat e shqytat e Davidit mbret që ishin në Shtëpinë e Zotit. 11 Rojet, me armë në dorë, qëndruan prej këndit të djathtë të Tempullit e në këndin e majtë të Tempullit, prej lterit e Tempullit, në mënyrë që të rrethonin mbretin. 12 E solli birin e mbretit, ia vuri kurorën e i dha Dëshminë. E bënë mbret dhe e shuguruan e, duke rrahur shuplakë, bërtitnin: “Rroftë mbreti”!

13 Atalja, kur e dëgjoi zhurmën e popullit, erdhi te populli në Tempullin e Zotit, 14 e pa mbretin: qëndronte në vendin e rëndomtë mbi palk e, përreth tij, prijësit e borizanët, kurse mbarë populli i vendit brohoriste e u binte trumbetave. Atalja i shqeu petkat e veta e bërtiti: “Tradhti, tradhti”!

15 Jojada prift u urdhëroi prijësve të ushtrisë e u tha: “Qiteni jashtë rrethit të Tempullit, e kushdo që të shkojë pas saj, le të pritet shpatë”. Sepse prifti kishte pasë dhënë urdhër: “Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit”. 16 E kapën e, kur ajo arriti te pallati mbretëror rrugës së Hyrjes së Kuajve, e vranë.

17 Atëherë Jojada lidhi besëlidhje ndërmjet Zotit, mbretit e popullit që populli të jetë popull i Zotit. Edhe një besëlidhje ndërmjet mbretit e popullit. 18 Pastaj mbarë populli i vendit hyri në tempullin e Baalit dhe e rrënuan. I shpartalluan lterët e truporet e tija plotësisht. Po edhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë përbri lterëve.

Jojada prift vuri përsëri rojat përreth Shtëpisë së Zotit.

19 Mori pastaj centurionët, harët, rojat dhe mbarë popullin e vendit dhe e përcollën mbretin prej Shtëpisë së Zotit dhe, rrugës së derës së Rojave, arritën në pallatin mbretëror. Mbreti u ul mbi fronin e mbretërve. 20 Mbarë populli i vendit u gëzua dhe mbarë qyteti ra në fashë kur qe vrarë me shpatë Atalja.

2 i Mbretërve: 12. Mbretëria e Joasit në Judë /835 796/

12

1 Joasi ishte shtatë vjeç kur u bë mbret.

2 Joasi u bë mbret në të shtatin vit të mbretërimit të Jehuit. Mbretëroi në Jerusalem dyzet vjet. Nëna e tij quhej Sebi. Ishte nga Bersabeja. 3 Joasi bënte ç’është e drejtë para Zotit gjatë të gjithë jetës së vet, sepse e kishte mësuar Jojada prift. 4 Megjithatë lartësirat nuk i zhduku; populli vazhdonte të flijonte e të digjte kem në lartësira.

5 Joasi u tha priftërinjve: “Të gjitha paratë nga të ardhurat e kushtuara që do të vijnë në Tempullin e Zotit, që kushtohen si çmim i jetës, ose që kushtohen me qëllim e me vullnet të kujtdo e sillen në Tempullin e Zotit, 6 le t’i marrin priftërinjtë secili nga i njohuri i vet dhe me to le ta ndreqin Shtëpinë e Zotit kudo që të shohin se ka nevojë”.

7 Porse deri në të njëzetetretin vit të mbretërimit të Joasit, priftërinjtë nuk e kishin ndrequr Tempullin në ato pjesë që ishte dëmtuar. 8 Atëherë Joasi e thirri Jojadën prift dhe priftërinjtë e tjerë e u tha: “Përse nuk i ndreqni pjesët e prishura të Tempullit? Pas tashi mos merrni më para prej të njohurve tuaj, por duhet t’i jepni ju për ndreqjen e Tempullit”. 9 Priftërinjtë pranuan që të mos marrin më para prej popullit dhe të mos kujdesen më për përmirësime të pjesëve të prishura të Tempullit.

10 Atëherë Jojada prift mori një arkë, i bëri në kapak një vrimë, e vendosi në anë të lterit, në të djathtë të atij që hyn në Tempullin e Zotit. Priftërinjtë, rojtësit e pragut, paratë që silleshin në Tempull i qitnin në të. 11 Kur dukej se ishin mbledhur shumë të holla në thesar, vinte shkruesi i mbretit me kryepriftin, i mblidhnin dhe i numëronin paratë që gjendeshin në Shtëpinë e Zotit. 12 Paratë, pasi i kishin numëruar e peshuar, ua jepnin kryepunëtorëve që i drejtonin punimet në përmirësimin e Shtëpisë së Zotit. Këta i shpenzonin në pagesën e gdhendësve të drurit e të ndërtuesve, që punonin në Shtëpinë e Zotit, 13 të muratorëve e të gurgdhendësve; për të blerë dru e gurë të gdhendur, për meremetime në Shtëpinë e Zotit dhe për shpenzime të tjera lidhur me meremetime të Shtëpisë. 14 Porse me paratë e falura në Tempull të Zotit, nuk punoheshin as kupa të argjendta të Tempullit të Zotit, as thika, as trumbeta, as kusi: asnjë enë e artë as e argjendtë. 15 Këto para u jepeshin punëtorëve për të ndrequr Tempullin e Zotit. 16 E njerëzve që u lihej në dorë kjo punë, paratë u jepeshin pa i numëruar për të paguar punëtorët, sepse ata punonin me ndërgjegje. 17 Të hollat që vinin nga flitë e shpërblimit ose të pajtimit, nuk shtiheshin në Shtëpinë e Zotit, por u takonin priftërinjve.

18 Atëherë u çua Hazaeli, mbreti i Sirisë, e sulmoi Getin; pasi e pushtoi atë, vendosi ta sulmojë edhe Jerusalemin. 19 Për këtë arsye Joasi, mbreti i Judës, i mori të gjitha gjërat e kushtuara që i dhuruan etërit e tij Jozafati, Jorami, Okozia, mbretërit e Judës, dhe ato që i kishte dhuruar ai vetë, mbarë arin që mundi të gjendej në thesaret e Tempullit të Zotit dhe në pallatin mbretëror, dhe ia dërgoi Hazaelit, mbretit të Sirisë: atëherë ai u largua nga Jerusalemi.

20 Veprat e tjera të Joasit si dhe të gjitha që bëri, pse a nuk janë të gjitha këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 21 Oficerët e tij u përbetuan kundër tij dhe e vranë në pallatin Melo, kur po zbriste në Selë. 22 Ishin Isahari, biri i Semaatit, dhe Jozabadi, biri i Somerit, oficerët e tij, që e goditën dhe Joasi vdiq. Qe varrosur me etërit e vet në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Amasiu, i biri.

2 i Mbretërve: 13. Mbretërimi i Joakazit në Izrael (814 798)

13

1 Në vitin njëzet e tre të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbi Izrael në Samari u bë mbret Joakazi, biri i Jehuit. Mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet. 2 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi mëkatin e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë dhe nuk u shkoq prej atij mëkati.

3 Zemërimi i Zotit u ndez flakë kundër Izraelit dhe i lëshoi në dorë të Hazaelit, mbretit të Sirisë, e në dorë të Benadadit, birit të Hazaelit, gjatë tërë asaj kohe. 4 Por Joakazi ia doli ta zbusë fytyrën e Zotit dhe Zoti e dëgjoi, sepse e pa gjendjen e vështirë të Izraelit të ndrydhur prej mbretit të Sirisë. 5 Zoti i dha Izraelit një shpëtimtar; qe çliruar nga thonjtë e sirianëve dhe izraelitët mundën të banonin në tendat e veta si më parë. 6 Megjithatë, nuk u shkoqën nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, që e bëri Izraelin të mëkatojë: jetuan në ato mëkate. Kështu mbeti edhe baniri në Samari. 7 Zoti Joakazit nuk i la prej popullit të armatosur tjetër përveç pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë ia kishte vrarë të tjerët e i kishte bërë si pluhurin që shqelmohet në lëmë në shirje.

8 Veprat e tjera të Joakazit dhe gjithçka ndërmori si dhe trimëritë e tija, vallë a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 9 Joakazi pushoi me etërit e vet dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij u bë mbret i biri, Joasi.

Mbretëria e Joasit në Izrael /798‑783/

10 Në vitin e tridhjeteshtatë të mbretërimit të Joasit, mbretit të Judës, mbret në Samari mbi Izraelin u bë Joasi, biri i Joakazit. Mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet. 11 Bëri çka është e keqe në sytë e Zotit: nuk u shkoq prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë; ai vazhdoi me to.

12 Veprat e tjera të Joasit, dhe gjithçka ndërmori, si dhe trimëritë e tija, si luftoi kundër Amasiut, mbretit të Judës, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 13 Joasi fjeti me etërit e vet e në fronin e tij hipi Jeroboami. Joasi qe varrosur në Samari me mbretërit e Izraelit.

Vdekja e Elizeut

14 Elizeu u sëmur nga një sëmundje prej së cilës edhe vdiq. Joasi, mbreti i Izraelit, zbriti tek ai dhe qante pranë tij e i thoshte: “Ati im! Ati im! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij”! 15 Elizeu i tha: “Merre harkun dhe shigjetat”! Kur i solli tek ai harkun e shigjetat, 16 Elizeu i tha mbretit të Izraelit: “Vëre dorën tënde mbi hark”. Kur e vuri dorën mbi hark, Elizeu i vuri duart e veta përmbi duart e mbretit 17 e tha: “Hape dritaren nga lindja”! Kur e hapi, Elizeu i tha: “Gjuaj shigjetë”! Ai gjuajti. Elizeu tha: “Shigjeta ngadhënjyese për nder të Zotit! Shigjeta ngadhënjyese kundër Sirisë! Ti do ta mundësh në Afek Sirinë deri në shfarosje”! 18 Pastaj i tha: “Kapi shigjetat”! Pasi ky i kapi, i tha përsëri: “Bjeri shigjetë tokës”! Si i ra tri herë, zuri vend. 19 Njeriu i Hyjit u hidhërua kundër tij dhe i tha: “Po t’i kishe rënë pesë ose gjashtë herë, do ta kishe mundur Sirinë deri në shfarosje; tashti do të ngadhënjesh mbi të tri herë”.

20 Elizeu vdiq dhe qe varrosur. Tashti, në fillim të vitit, erdhën disa cuba prej Moabit në atë vend. 21 Disa njerëz që po varrosnin një të vdekur, i panë cubat, e hodhën kufomën në varr të Elizeut dhe ikën. Kur i preku kufoma eshtrat e Elizeut, u ngjall i vdekuri dhe qëndroi në këmbët e veta.

Fitorja ndaj sirianëve

22 Hazaeli, mbreti i Sirisë, e ndrydhi Izraelin gjatë gjithë jetës së Joakazit. 23 Porse Zoti pati mëshirë për ta dhe u kthye prej tyre për shkak të besëlidhjes së vet që, kishte lidhur me Abrahamin, Izakun e Jakobin. Nuk deshi t’i shfaroste as të hiqte krejtësisht dorë prej tyre deri në ditën e sotme. 24 Vdiq Hazaeli, mbreti i Sirisë, e në vend të tij mbretëroi Benadadi, i biri. 25 Joasi, biri i Joakazit, i mori prej dorës së Benadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ia kishte pushtuar me luftë Joakazit, babait të tij. Tri herë rresht Joasi e mundi Benadadin dhe ia riktheu Izraelit qytetet.

2 i Mbretërve: 14. Mbretërimi i Amasiut në Judë /796 781/

14

1 Në vitin e dytë të mbretërimit të Joasit, birit të Joakazit, mbretit të Izraelit, mbret i Judës u bë Amasiu, biri i Joasit, mbretit të Judës. 2 Ishte njëzetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe në Jerusalem mbretëroi njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Joadenë. Ishte nga Jerusalemi. 3 Bëri çka është e drejtë para syve të Zotit, megjithëse jo krejtësisht si Davidi, baba i tij. Në gjithçka i përngjau Joasit, babait të vet, 4 përveç nuk i zhduku lartësirat. Edhe më tutje populli kushtonte fli dhe digjte kem në lartësira.

5 Kur e forcoi mbretërinë në duart e veta, i vrau shërbëtorët e vet, që kishin vrarë mbretin, babain e tij. 6 Porse nuk i vrau të bijtë e atyre që ia kishin vrarë babain, sipas asaj që shkruan në Librin e Ligjit të Moisiut, siç urdhëron Zoti, kur thotë: “Të mos vdesin prindërit për faj të fëmijëve, as fëmijët për faj të prindërve: secili le të vdesë për shkak të mëkatit të vet”.

7 Ky e mundi Edomin në Luginën e Kripërave: i vrau dhjetë mijë vetë, e pushtoi Qetën me luftë dhe i vuri emrin Jecetel deri në ditën e sotme.

8 Amasiu pastaj i dërgoi kasnecë Joasit, birit të Joakazit, birit të Jehuit, mbretit të Izraelit. Tha: “Eja të shikohemi në ballë të luftës”! 9 Joasi, mbreti i Izraelit, iu përgjigj Amasiut, mbretit të Judës, kështu: “Ferrca e gomarit në Liban i çoi shkues cedrit të Libanit e i tha: ‘Ma jep vajzën tënde për nuse të djalit tim.’ Por kaluan egërsirat e Libanit dhe e shqelmuan ferrcën e gomarit! 10 Bëre luftë dhe e munde Edomin dhe të është rritur mendja! Kënaqu me lavdinë që fitove e rri në shtëpinë tënde! Pse shkakton të keqen që të sharrosh ti dhe mbarë Juda me ty”?

11 Por Amasiu nuk i vuri veshin.

Atëherë Joasi, mbreti i Izraelit, e sulmoi. U ndeshën ai e Amasiu, mbreti i Judës, në Betsames, qytet i Judës. 12 Juda u thye para Izraelit dhe ikën secili në çadrat e veta. 13 Amasiun, mbretin e Judës, birin e Joasit të Okozisë, Joasi, mbreti i Izraelit, e zuri rob në Betsames dhe e çoi në Jerusalem. Pastaj e rrënoi murin e Jerusalemit prej Derës së Efraimit deri në Derën e Këndit: katërqind kute gjatë. 14 Mori të gjithë arin, argjendin dhe të gjitha enët që u gjetën në Shtëpinë e Zotit dhe në thesaret mbretërorë si dhe disa pengje dhe u kthye në Samari.

15 Veprat e tjera të Joasit, çka ndërmori, si dhe trimëritë e tija që i bëri në luftë kundër Amasiut, mbretit të Judës, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 16 Joasi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Samari me mbretërit e Izraelit. Jeroboami, biri i tij, u bë mbret në vend të tij.

17 Amasiu, biri i Joasit, mbret i Judës, pasi vdiq Joasi, biri i Joakazit, mbreti i Izraelit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet.

18 Veprat e tjera të Amasiut, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 19 Kur u bë një përbetim kundër tij në Jerusalem, ky iku në Lakis. Por dërguan pas tij në Lakis dhe atje e vranë. 20 Prej andej trupin ia prunë në kuaj dhe e varrosën në Jerusalem me etërit e tij në Qytetin e Davidit. 21 Atëherë mbarë populli i Judës e mori Azarinë, që ishte gjashtëmbëdhjetëvjeçar, dhe e bënë mbret në vend të babait të tij, Amasiut.

22 Ai e rindërtoi Elatin pasi ia ktheu Judës, pasi fjeti mbreti Amasi me etërit e vet.

Mbretëria e Jeroboamit II në Izrael /783‑743/

23 Në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Amasiut, birit të Joasit, mbretit të Judës, në Samari u bë mbret Jeroboami, biri i Joasit, mbretit të Izraelit. Mbretëroi dyzet e një vjet. 24 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit. Nuk u shmang nga asnjë mëkat që bëri Jeroboami, biri i Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë. 25 Ai i rivendosi kufijtë e Izraelit prej Hyrjes në Emat deri në Detin Arabë, sipas fjalës së Zotit, Hyjit të Izraelit, të cilën e tha me gojë të shërbëtorit të vet Jonës profet, birit të Amatit, që ishte prej Getoferit. 26 Zoti, në të vërtetë, e kishte parë mjerimin e tmerrshëm të Izraelit, sepse kishin mbaruar me të madh e të vogël e s’kishte mbetur kush t’i gjendej në ndihmë Izraelit. 27 Porse Zoti nuk kishte vendosur ta zhdukë emrin e Izraelit për nën qiell, por e shpëtoi atë me dorën e Jeroboamit, birit të Joasit.

28 Veprat e tjera të Jeroboamit si dhe gjithçka ndërmori, trimëritë e tija që i bëri në luftë, si dhe si ia ktheu Izraelit Damaskun dhe Ematin ‑ që më parë i takonin Judës ‑, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 29 Jeroboami pushoi me etërit e vet, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij u bë mbret Zakaria, i biri i tij.

2 i Mbretërve: 15. Mbretëria e Azarisë në Judë /781 740/

15

1 Në vitin e njëzeteshtatë të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, mbretëroi Azaria, biri i Amasiut, mbretit të Judës. 2 Kishte gjashtëmbëdhjetë vjet kur filloi të mbretërojë e mbretëroi në Jerusalem pesëdhjetë e dy vjet. Emri i s’ëmës ishte Jekeli dhe ishte prej Jerusalemit. 3 Bëri ç’është e drejtë në sy të Zotit, pikërisht porsi i ati i tij, Amasiu. 4 Megjithatë nuk i rrënoi lartësirat. Populli vazhdoi të flijojë e të kushtojë kem në lartësira.

5 Zoti e goditi mbretin me gërbulë dhe nuk iu hoq derisa vdiq. Jetonte në një shtëpi të ndarë veçmas, kurse biri i mbretit, Joatami ishte drejtor i pallatit mbretëror dhe gjykonte popullin e vendit.

6 Veprat e tjera të Azarisë dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 7 Azaria fjeti pranë etërve të vet dhe e varrosën me të parët e vet në Qytetin e Davidit. Ne vend të tij mbretëroi Joatami, i biri.

Mbretërimi i Zakarisë në Izrael (743)

8 Në të tridhjetetetin vit të Azarisë, mbretit të Judës, mbi Izrael në Samari mbretëroi Zakaria, biri i Jeroboamit, për gjashtë muaj. 9 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, ashtu siç kishin bërë të parët e tij. Nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë. 10 U përbetua kundër tij Selumi, biri i Jabesit. I ra në Jeblaam dhe e vrau. U bë mbret në vend të tij.

11 Veprat e tjera të Zakarisë, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 12 Kjo është fjalë që Zoti ia kishte thënë Jehuit: “Fëmijët e tu do të rrinë mbi fronin e Izraelit deri në të katërtën brezni”. Dhe ashtu ndodhi.

Mbretërimi i Selumit në Izrael /743/

13 Në të tridhjetenëntin vit të Azarisë, mbretit të Judës, u bë mbret Selumi, biri i Jabesit. Mbretëroi vetëm një muaj në Samari. 14 Prej Tersës erdhi Manahemi, biri i Gadit, në Samari, e sulmoi Selumin, birin e Jabesit, në Samari, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.

15 Veprat e tjera të Selumit si dhe përbetimi që e sendërtoi, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 16 Asokohe Manahemi e rroposi Tapsën me gjithçka ishte në të si dhe krahinat e saja prej Tersës, sepse nuk deshën t’ia hapnin dyert e qytetit. I vrau edhe të gjitha gratë shtatzëna duke ua shporuar barkun.

Mbretërimi i Manahemit në Izrael /743‑738/

17 Në të tridhjetenëntin vit të Azarisë, mbretit të Judës, Manahemi, biri i Gadit, mbretëroi mbi Izraelin. Mbretëroi në Samari dhjetë vjet. 18 Bëri çka ishte e keqe në praninë e Zotit. Nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.

Në kohën e tij 19 Fuli, mbreti i asirëve, e pushtoi vendin. Manahemi i dha Fulit një mijë talenta argjendi që ta përkrahte dhe t’ia përforconte mbretërimin. 20 Manahemi i mblodhi këto para prej të gjithë pasanikëve të Izraelit për t’ia dhënë mbretit të Asirisë. Secilit iu desh të jepte nga pesëdhjetë sikla argjendi. Kështu mbreti i Asirisë u kthye e nuk u ndal në vend.

21 Veprat e tjera të Manahemit si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit? 22 Manahemi pushoi me etërit e vet. Në vend të tij mbretëroi Faceja, biri i tij.

Mbretërimi i Facesë në Izrael /738‑737/

23 Në vitin e pesëdhjetë të Azarisë, mbretit të Judës, mbi Izrael mbretëroi në Samari për dy vjet, Faceja, biri i Manahemit. 24 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit. Nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë. 25 Kundër tij bëri përbetim Faceu, biri i Romelisë, kryetari i ushtrisë së tij, dhe e vrau në Samari, në kullën e shtëpisë mbretërore... Me të ishin pesëdhjetë burra prej bijve të Galaadit. E vrau dhe në vend të tij u bë mbret.

26 Veprat e tjera të Facesë, si dhe të gjitha që bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

Mbretërimi i Faceut në Izrael /737‑732/

27 Në vitin e pesëdhjetedytë të Azarisë, mbretit të Judës, mbret mbi Izraelin u bë Faceu, biri i Romelisë. Për njëzet vjet mbretëroi në Samari. 28 Bëri ç’ishte e keqe për sytë e Zotit. Nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e bëri Izraelin të mëkatojë.

29 Në kohën e Faceut, mbretit të Izraelit, erdhi Teglatfalasari, mbreti i Asirisë, dhe pushtoi Ajonin, Abelbetmaakën, Janoehun, Cedesin, Asorin, Galaadin, Galilenë dhe mbarë tokën e Neftaliut dhe banorët i treti në Asiri. 30 Kundër Faceut, birit të Romelisë, bëri përbetim Oseu, biri i Elës: e goditi dhe e vrau e mbretëroi në vend të tij në të njëzetin vit të Joatamit, birit të Ozisë.

31 Veprat e tjera të Faceut, si dhe gjithçka ndërmori, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

Mbretërimi i Joatamit në Judë /740‑736/

32 Në vitin e dytë të Faceut, birit të Romelisë, mbretit të Izraelit, mbretëroi Joatami, biri i Ozisë, mbretit të Judës. 33 Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. Emrin nëna e tij e kishte Jerusë. Ishte bija e Sadokut. 34 Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit; veproi krejtësisht porsi i ati i vet, Ozia. 35 Porse lartësirat nuk i hoqi; populli vazhdoi gjithnjë të flijonte e të digjte kem në lartësira.

Ai ndërtoi derën e Sipërme në Shtëpinë e Zotit.

36 Veprat e tjera të Joatamit, si dhe gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 37 Në kohën e tij Zoti filloi të dërgojë në Judë Rasinin, mbretin e sirianëve, dhe Faceun, birin e Romelisë. 38 Joatami pushoi pranë etërve të vet dhe qe varrosur bashkë me ta në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Akazi, djali i tij.

2 i Mbretërve: 16. Mbretëria e Akazit në Judë /736 716/

16

1 Në vitin e shtatëmbëdhjetë të Faceut, birit të Romelisë, u bë mbret Akazi, biri i Joatamit, mbretit të Judës. 2 Akazi ishte njëzetvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem gjashtëmbëdhjetë vjet. Nuk bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, Hyjit të vet, porsi Davidi, baba i tij, 3 por eci udhës së mbretërve të Izraelit. Madje e kaloi deri edhe djalin e vet nëpër zjarr sipas zakonit të urryeshme të paganëve që Zoti i çrrënjosi para bijve të Izraelit. 4 Gjithashtu flijonte e ndizte kem në lartësira, në majë kodrash dhe nën çdo lëndë të gjelbër.

5 Atëherë Rasini, mbreti i Sirisë, e Faceu, biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, u ngjitën për të luftuar kundër Jerusalemit. E rrethuan Akazin, por nuk e mundën. 6 Asokohe Rasini, mbreti i Sirisë, ia riktheu Edomit Ailën dhe i dëboi judenjtë nga Aila. Në Ailë erdhën idumeasit e banuan atje deri në ditën e sotme. 7 Por Akazi dërgoi kasnecë te Teglatfalasari, mbreti i Asirisë me këtë porosi: “Jam shërbëtori yt dhe djali yt. Eja e më çliro nga kthetrat e mbretit të Sirisë e të mbretit të Izraelit, që janë ngritur kundër meje”. 8 Akazi mori arin e argjendin që gjeti në Shtëpinë e Zotit e në thesarin e pallatit mbretëror dhe ia çoi dhuratë mbretit të Asirisë. 9 Mbreti i Asirisë pranoi dhe ai vetë shkoi në Damask dhe e rrafshoi, banorët i treti në Cir, kurse Rasinin e vrau.

10 Mbreti Akaz shkoi në Damask për ta takuar Teglatfalasarin, mbretin e Asirisë. Pasi e pa lterin në Damask, Akazi mbret ia dërgoi Urisë prift gjedhen e lterit me përshkrim të hollësishëm të krejt punimit të tij. 11 Prifti Uri e ndërtoi lterin, krejtësisht ashtu sipas gjedhes që Akazi i kishte dërguar nga Damasku. Kështu që Uria prift e ndërtoi derisa arriti Akazi prej Damaskut. 12 Kur u kthye mbreti prej Damaskut, iu afrua, hipi në të, 13 i dogji flitë e shkrumbimit të vetat, kushtimoret, kushtoi njomjet dhe derdhi gjakun e flive të veta pajtimore. 14 Kurse lterin e bronztë që ishte në praninë e Zotit, e hoqi prej përpara Tempullit që ishte ndërmjet lterit të ri dhe Shtëpisë së Zotit dhe e qiti në kënd të lterit, në veri.

15 Atëherë mbreti Akaz i dha priftit Uri këtë urdhër: “Mbi lterin e madh kushto flinë e shkrumbimit mëngjesore dhe kushtimin e mbrëmjesores, flinë e shkrumbimit të mbretit dhe kushtimoren e saj, flinë e shkrumbimit të mbarë popullit të vendit, kushtimoren e tyre dhe njomjet e tyre. Po ashtu edhe gjithë gjakun e flisë së shkrumbimit si dhe gjithë gjakun e flive, derdhe mbi të. Lidhur me lterin e bronztë, do të vendos vetë”. 16 Prifti Uri bëri gjithë si i urdhëroi mbreti Akaz. 17 Mbreti Akaz i demontoi bazat: hoqi terthorcat, hoqi legenat. Edhe detin e bronztë e uli prej qeve, mbi të cilët pushonte, dhe e vendosi mbi truall të kalldrëmuar. 18 Për shkak të mbretit të Asirisë ndryshoi në Shtëpinë e Zotit edhe Musahun /d. m. th. Tremen/ e së shtunës, që ishte ndërtuar në Tempull, si dhe hyrjen e mbretit nga jashtë.

19 Veprat e tjera të Akazit që i bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 20 Akazi pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret biri i tij, Ezekia.

2 i Mbretërve: 17. Mbretërimi i Ozesë në Izrael /732 724/

17

1 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Akaz, në Samari u bë mbret mbi Izraelin Ozeja, biri i Elës. Mbretëroi për nëntë vjet. 2 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.

3 Kundër tij u çua Salmanasari, mbreti i asirëve, dhe Ozeja iu nënshtrua e i paguante telozna. 4 Kur e hetoi mbreti i Asirisë se Ozeja kishte për qëllim të çohej kundër tij, sepse kishte dërguar kasnecë të mbreti i Egjiptit, Sua, dhe nuk i kishte paguar teloznat siç e kishte zakon t’i paguajë çdo vit, e kapi Ozenë, e lidhi në pranga dhe e qiti në burg.

Pushtimi i Samarisë /721/

5 Mbreti i Asirisë e pushtoi mbarë vendin dhe u ngjit dhe e rrethoi Samarinë. E mbajti në rrethim për tre vjet. 6 Në vitin e nëntë të mbretërimit të Ozesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, i shpuri izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë, në brigjet e Haborit, lumë i Gozanit dhe në qytetet e medëve.

Përsiatje mbi shpartallimin e mbretërisë së Izraelit

7 E ndodhi kështu, sepse bijtë e Izraelit mëkatuan kundër Zotit, Hyjit të vet, i cili i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit, prej kthetrave të faraonit, mbretit të Egjiptit, e ata nderuan hyjnitë e huaja. 8 Jetuan sipas zakoneve të kombeve që i zhduku Zoti në ardhjen e bijve të Izraelit, e sipas ligjeve që i vunë në fuqi mbretërit e Izraelit. 9 Bijtë e Izraelit e fyen me vepra jo të drejta Zotin, Hyjin e vet. Ndërtuan mogila në të gjitha qytetet e veta që nga kullat e vëzhgimit deri në qytete të fortifikuara. 10 Punuan gurngulë dhe banirë në majë të çdo kodre e nën çdo lëndë të gjelbër 11 dhe digjnin kem në të gjitha lartësirat sikurse edhe kombet që Zoti i kishte shpërngulur para tyre. Bënë vepra tmerrësisht të këqija duke e hidhëruar Zotin 12 dhe adhuruan idhuj të fëlliqët, që u kishte urdhëruar Zoti të mos e bënin atë gjë. 13 E Zoti i kishte përkujtuar zyrtarisht izraelitët e judenjtë me anë të gjithë profetëve e të gjithë veguesve duke u thënë: “Kthehuni prej udhëve tuaja të këqija e mbani urdhërimet e rregulloret e mia sipas ligjit që ua urdhërova etërve tuaj dhe sipas të gjithave që jua kam zbuluar me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi. ”. 14 Por ata nuk dëgjuan. E ngurruan zverkun e vet në gjasim të zverkut të etërve të tyre, që nuk deshën të besonin në Zotin, Hyjin e vet. 15 E përbuzën Ligjin dhe Besëlidhjen e tij, që e lidhi me etërit e tij, kërkesat që ai ua kishte bërë: shkuan pas gjërave të kota dhe u bënë asgjë.

I ndoqën kombet që ishin përreth tyre, kurse Zoti u kishte urdhëruar të mos bëjnë siç bënin ato. 16 I lanë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, dhe punuan idhuj të metaltë: dy viça e banirin, adhuruan mbarë ushtrinë qiellore, i shërbyen Baalit, 17 i kushtuan bijtë e bijat e veta duke i kaluar nëpër zjarr; pyetnin shortarët e ushtronin magjinë e kështu u dhanë të bënin çka është e keqe ndër sy të Zotit me qëllim që ta ngacmonin.

18 Atëherë Zoti u hidhërua në Izraelin për së tepërmi dhe e flaku larg syve të vet. Mbeti vetëm fisi i Judës. 19 Por mjerisht as ata të fisit të Judës nuk i ruanin urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, por ecnin në gabimet që kishte bërë Izraeli.

20 Zoti e flaku mbarë farën e Izraelit, i përvujtnoi ata dhe i lëshoi në duar të grabitqarëve derisa i flaku krejtësisht prej fytyrës së vet. 21 Që prejkohës që Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit dhe vuri për mbret të vetin Jeroboamin, birin e Nabatit, ‑ sepse Jeroboami e ndau Izraelin prej Zotit dhe e bëri të bëjë mëkatin e madh, ‑ edhe Zoti e braktisi Izraelin. 22 Bijtë e Izraelit ecën në të gjitha mëkatet që i kishte bërë Jeroboami. Nuk u larguan prej tyre 23 derisa e dëboi Zoti Izraelin prej fytyrës së vet, siç u kishte thënë me gojën e të gjithë profetëve, shërbëtorëve të vet. Kështu qe humbur me dhunë Izraeli prej tokës së vet në Asur deri në ditën e sotme.

Prejardhja e samarianëve

24 Mbreti i Asirisë atëherë solli popuj prej Babilonit, prej Kutës, prej Avahit, prej Ematit e prej Sefarvaimit dhe i vendosi në vend të bijve të Izraelit në qytetet e Samarisë. Këta e bënë pronë Samarinë e banuan në qytetet e saja.

25 Tashti, që në fillim të nguljes së tyre në të, nuk e kishin frikë Zotin. Zoti dërgoi kundër tyre luanë që mbytën disa prej tyre. 26 Qe lajmëruar mbreti i asirëve: “Njerëzit që çove dhe i vendose të banojnë në qytetet e Samarisë, nuk e dinë mënyrën si duhet të nderohet Hyji i vendit. Prandaj u çoi luan dhe, ja, po i mbysin, sepse nuk e dinë mënyrën si duhet nderuar Hyji i vendit”. 27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi: “Çojeni atje një prej priftërinjve që sollet s’andejmi si skllevër, le të shkojë e le të banojë ndër ta e t’ua mësojë mënyrën e nderimit të Hyjit të vendit”. 28 Kështu, kur erdhi njëri prej atyre priftërinjve që kishin qenë marrë skllevër prej Samarisë, banoi në Betel dhe i mësonte se si duhej ta nderonin Zotin.

29 Megjithatë, secili popull punoi hyjin e vet. I vendosën në tempujt e lartësirave që i kishin ndërtuar samarianët, secili popull në qytetin e vet ku banonte. 30 Kështu ata prej Babilonit punuan Sokotbenotin, kutenët Nergelin, ata prej Ematit Asimën, 31kurse hevenjtë punuan Nebahazin dhe Tartakun, kurse ata që ishin prej Sefarvaimit i digjnin fëmijët e vet në zjarr për nder të Adramelekut e të Anamelekut, hyjnive të Sefarvaimit. 32 E migjithatë nderonin edhe Zotin. Bënë prej mesit të vet priftërinj të lartësirave dhe i vendosnin në tempuj të lartësirave; 33 dhe, ndërkohë që nderonin Zotin, u shërbenin edhe hyjnive të veta sipas zakoneve të popujve prej të cilëve kishin ardhur në Samari.

34 Deri më sot e përfillin zakonin e vjetër: nuk e druajnë Zotin, nuk e rregullojnë jetesën e vet brenda hullive të Ligjit as urdhërimeve as rregulloreve që ua urdhëroi Zoti bijve të Jakobit, të cilin e pat quajtur Izrael. 35 Zoti ka lidhur me ta një besëlidhje dhe u kishte urdhëruar duke thënë: “Mos i druani zotat e huaj, mos i nderoni, mos i adhuroni dhe mos u flijoni atyre, 36 por nderojeni vetëm Zotin që ju nxori nga toka e Egjiptit me fuqi të madhe e krah të shtrirë. Vetëm atë druani, atë adhuroni dhe atij i flijoni! 37 Urdhërimet e ritet, Ligjin e urdhrin, që e ka shkruar për ju, kujdesohuni ta zbatoni në të gjitha ditët e jetës suaj. Mos druani të tjerë zota! 38Besëlidhjen që e rraha me ju, mos e harroni dhe mos i druani zotat e huaj, 39 por druani vetëm Zotin, Hyjin tuaj, dhe ai do t’ju shpëtojë nga dora e të gjithë armiqve tuaj.”

40 Por ata nuk dëgjuan e vazhduan të veprojnë sipas zakonit të tyre të vjetër. 41 Kështu, pra, këta popuj e druanin Zotin, por megjithatë u shërbenin edhe idhujve të vet. Krejtësisht siç vepruan etërit e tyre, bijtë e bijtë e bijve të tyre vazhdojnë të veprojnë edhe sot si ata.

2 i Mbretërve: 18. Hyrje në mbretërimin e Ezekisë /716 687/

18

1 Në vitin e tretë të Ozesë, birit të Elës, mbretit të Izraelit, u bë mbret Ezekia, biri i Akazit, mbretit të Judës. 2 Ishte njëzetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem njëzetenëntë vjet. Nëna e tij quhej Abi. Ishte bija e Zakarisë. 3 Bëri ç’ishte mirë para syve të Zotit, gjithçka siç kishte vepruar Davidi, baba i tij. 4 Ky i rrënoi lartësirat, copëtoi gurngulët, preu banirin dhe thërmoi gjarprin e bronztë, që e kishte punuar Moisiu, sepse deri në atë ditë bijtë e Izraelit i digjnin kemin për nder të tij. Gjarpri quhej Nohestan. 5 Shpresën e kishte në Zotin, Hyjin e Izraelit. Kështu pas tij nuk qe asnjë mbret i Judës i ngjashëm me të, por madje as ndër ata që qenë para tij. 6 Iu mbështet krejtësisht Zotit e nuk u largua gjurmëve të tija dhe i kreu urdhërimet e Zotit që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut, 7 prandaj edhe Zoti ishte me të dhe gjithçka që ndërmerrte, i shkonte mbarë.

U çua kundër mbretit të asirëve dhe nuk ndenji nën skllavërinë e tij. 8 Ky i goditi filistenjtë deri në Gazë e në kufijtë e tij, prej kullës së rojtarëve deri në qytet të fortifikuar.

Përmbledhje mbi pushtimin e Samarisë

9 Në vitin e katërt të mbretit Ezeki, që ishte viti i shtatë i Ozesë, birit të Elës, mbretit të Izraelit, Salmanasari, mbreti i Asirisë, erdhi, e sulmoi Samarinë 10 dhe e pushtoi. Pas tri vjetësh, në vitin e gjashtë të Ezekisë, d. m. th. në vitin e nëntë të Ozesë, mbretit të Izraelit, u pushtua Samaria. 11 Mbreti i Asirisë i shpuri përdhunë izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë e në Habor, afër lumit Gozan dhe në qytetet e medëve, 12 për arsye se ata nuk kishin dëgjuar zërin e Zotit, Hyjit të vet, por kishin shkelur besëlidhjen e tij: asnjë prej urdhrave që kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, s’e dëgjuan as nuk e kryen.

Fushata luftarake e Senakeribit

13 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i Asirisë, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. 14 Atëherë Ezekia, mbreti i Judës, dërgoi në Lakis kasnecë te mbreti i asirëve me këto fjalë: “Kam bërë gabim. Mos më pushto dhe unë do të marr mbi vete gjithçka që të më ngarkosh”. Kështu mbreti i asirëve i kërkoi Ezekisë, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi e tridhjetë talenta ari. 15 Ezekia i dha të gjithë argjendin që u gjet në Shtëpinë e Zotit dhe në thesarë të mbretit. 16 Asokohe Ezekia hoqi prej dyerve të Tempullit të Zotit dhe prej shtatkave arin me të cilin ai vetë i kishte veshur dhe ia dha mbretit të asirëve.

Dërgimi i kryekomandantit të ushtrisë së asirëve

17 Mbreti i asirëve dërgoi Tartanin, Rabsarisin dhe Rabsacesin prej Lakisit te Ezekia mbret në Jerusalem me një ushtri të fortë. Këta, si arritën, erdhën në Jerusalem dhe u ndalën tek ujësjellësi i peshkores së sipërme, që gjendet në udhën e fushës së Robëlarësit. 18 E thirrën mbretin. Në takim me ta doli Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i pallatit, Sobna, sekretari, dhe Joaheu, biri i Asafit, këshilltari.

19 Rabsacesi u tha: “Tregoni Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madhërishëm, mbreti i asirëve: Çfarë është ajo shpresë në të cilën mbështetesh? 20 Ndoshta mendon se është një fjalë goje këshilla dhe fuqia për të bërë luftë? Në kë e vë shpresën që ke guxim të çosh kokë kundër meje? 21 A mos shpreson në Egjiptin, një shkop kallami i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeriu, theret dhe i shporohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të. 22 E në qoftë se do të më thoni: ‘E kemi shpresën në Zotin, Hyjin tonë’, a nuk është ai, të cilit Ezekia ia rrënoi lartësirat e lterët dhe u urdhëroi judenjve dhe jerusalema‑ sve: ‘Adhuroni në Jerusalem para këtij lteri!’ 23 Tani pra, vër bast me zotërinë tim, mbretin e asirëve: do të t’i jap dy mijë kuaj dhe shih a do të mund t’i gjesh kalorësit për ta! 24 Si do të mund ta vësh në ikje pra edhe një të vetmin e më të voglin ndër qeveritarë të zotërisë tim? A mos shpreson në Egjiptin për kuaj e kalorës? 25 A mos kujton se kam ardhur pa vullnet të Zotit në këtë vend për ta rrafshuar? Vetë Zoti më ka thënë: ‘Sulmoje e shkretëroje këtë vend. ’“

26 Eliacimi, biri i Helcisë, Sobna e Joaheu i thanë Rabsacesit: “Të lutemi, fol me ne, shërbëtorët e tu, aramaisht, sepse ne e dimë këtë gjuhë dhe mos na fol herbaisht, sepse të ndien populli që ështe mbi mure”. 27 Rabsacesi u përgjigj: “Pse a më ka dërguar imzoti vetëm te zotëria yt dhe tek ti për t’i thënë këto fjalë dhe jo për këta njerëz që janë mbi mure, që janë të dënuar të hanë tretjet e veta e të pinë ujët e vet së bashku me ju”?

28 U ngrit në këmbë Rabsacesi dhe bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: “Dëgjojini fjalët e mbretit të madhërishëm, mbretit të Asirisë: 29 Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia: s’do të jetë i zoti t’ju nxjerrë nga kthetrat e mia! 30 As të mos ju jap shpresë në Zotin duke ju thënë: ‘Me siguri do të na shpëtojë Zoti dhe ky qytet nuk do të bjerë në duar të mbretit të Asirisë’! 31 Mos e degjoni Ezekinë! Kështu ju thotë mbreti i Asirisë: ‘Bëni paqe me mua dhe m’u dorëzoni e secili do të hajë prej vreshtit të vet e fiqve të vet dhe do të pini ujë prej pusave tuaj, 32 derisa të vij e t’ju çoj në një vend që është i ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot fruta e verë, në një tokë buke e vreshtash, tokë ullishtash, vaji e mjalti. Do të jetoni e nuk do të vdisni. Mos e dëgjoni Ezekinë që ju gënjen duke thënë: ‘Zoti do të na shpëtojë’! 33 Pse a i shpëtuan hyjnitë e popujve, secili vendin e vet, prej dorës së mbretit të asirëve? 34 Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit, Ana e Ava? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime? 35 Ku janë ata zota, ndër të gjithë zotat e vendeve, që mundën ta shpëtonin vendin e vet prej duarve të mia, që të mund ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej duarve të mia?”

36 Heshti populli e nuk u përgjigj me asnjë fjalë, sepse mbreti u kishte dhënë urdhër të mos i përgjigjeshin. 37 U kthyen, pra, Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i pallatit, Sobna, sekretari, dhe Joaheu, këshilltari, tek Ezekia, i shqyen petkat e veta dhe i treguan fjalët e Rabsacesit.

2 i Mbretërve: 19. Kërkohet këshillë nga Isaia

19

1 Kur i dëgjoi këto fjalë Ezekia, i shqeu petkat e veta, ngjeshi grathoren dhe hyri në Shtëpinë e Zotit. 2 Atëherë i dërgoi tek Isaia profet, biri i Amosit, Eliacimin, kryekuj‑ destarin e pallatit, sekretarin Sobnë dhe krerët e priftërinjve të veshur me grathore. 3 Ata i thanë: “Kështu thotë Ezekia: Ditë ngushtimi, ditë ndëshkimi e ditë turpi është kjo ditë: foshnjat janë rritur për të dalë në dritë, porse lindëses i mungojnë fuqitë për t’i qitur në dritë! 4 Ndoshta Zoti, Hyji yt, do t’i dëgjojë të gjitha fjalët e Rabsacesit, që zotëria i tij, mbreti i Asirisë, e dërgoi për ta poshtëruar Hyjin e gjallë, e do ta ndëshkojë për fjalët që i dëgjoi Zoti, Hyji yt. Thuaji një uratë për tëpricën që ende ka mbetur”.

5 Shkuan, pra, shërbëtorët e mbretit Ezeki tek Isaia. 6 Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë tuaj. Kështu thotë Zoti: Mos i druaj fjalët që i dëgjove ti, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë sharë mua. 7 Ja, unë po çoj në të një shpirt dhe, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet . Do të bëj që në vendin e tij të vritet prej shpatës”.

Nisja e kryekomandantit

8 Rabsaci u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë duke sulmuar Lobnën; i kishte shkuar lajmi se mbreti e kishte lëshuar Lakisin. 9 Sepse kishte dëgjuar lajmin lidhur me Tarakën, mbretin e Etiopisë, që thuhej: “Ja, erdhi për të luftuar kundër teje”!

Letra e Senakeribit

Atëherë Senakeribi i dërgoi përsëri kasnecët e vet tek Ezekia për t’i thënë: 10 “Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos gënjejë Hyji yt, në të cilin ke vënë shpresën dhe mos thuaj: ‘Jerusalemi nuk do të bjerë në dorë të mbretit të Asirisë’. 11 Ti vetë ke dëgjuar mirë fort se ç’u kanë bërë të gjitha vendeve mbretërit e Asirisë: se si i kanë shkretëruar! A thua vetëm ti do të shpëtosh? 12 A thua secili nga zotat e popujve i shpëtoi popujt e vet që i shkretëruan etërit e mi, d. m. th. Gozanin, Harranin, Resefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Thelasar? 13 Ku është mbreti Emat, mbreti Arfad e mbreti i qytetit Sefarvaim, Ana e Ava”?

14 Kur Ezekia mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe pasi e lexoi, shkoi në Shtëpinë e Zotit dhe e shtriu përpara Zotit. 15 Kështu u lut në praninë e Zotit: “O Zot, Hyji i Izraelit, që rri mbi kerubinë! Ti i vetmi je Hyji i të gjitha mbretërive të tokës! Ti e krijove qiellin e tokën! 16 Prire veshin tënd e dëgjo! Hapi, o Zot, sytë e tu e shiko! Dëgjo të gjitha fjalët e Senakeribit, që i dërgoi për të poshtëruar Hyjin e gjallë!

17 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë shkretëruan popuj dhe vendet e tyre! 18 Edhe zotat e tyre i dogjën në zjarr. Veçse ata nuk ishin Zot, por vepër e duarve të njerëzve prej drurit e gurit, dhe mbretërit e Asirisë i rrënuan. 19 Por ti, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e tokës, se ti, o Zot, je i vetmi Hyj”.

Ndërmjetësimi i Isaisë

20 Atëherë Isaia, biri i Amosit, dërgoi për t’i thënë Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘E kam dëgjuar lutjen që ma ke drejtuar ti lidhur me Senakeribin, mbretin e Asirisë.

21 Ja fjalët që Zoti i tha kundër tij:

Të përbuz, të përqesh virgjëra, bija e Sionit!

Prapa teje e tund kokën bija e Jerusalemit!

22 Kë poshtërove, kë shave?

Kundër kujt e ngrite zërin

dhe me krenari i lartësove sytë?

Kundër Shenjtit të Izraelit!

23 Me gojën e shërbëtorëve të tu e feve Zotin.

Ti the: ‘Me karrocat e mia të shumta

në majë u dola maleve;

në më të lartat maja të Libanit

dhe ia preva më të lartët cedra,

më të bukurit bredha!

I dola në më të lartat maja,

në më të dendurin pyll!

24 Hapa e piva ujët e huaj;

me shputat e këmbëve të mia

i shtera ujërat e Egjiptit’!

25 Pse a nuk e di

se që kaherë e kam bërë këtë synim,

se prej kohësh të lashta

ta kam përftuar?

Tani do ta sendërtoj:

të është dhënë t’i shndërrosh

qytetet e forta në rrënoja.

26 Banorët e tyre të pafuqishëm

u tmerruan dhe u mposhtën,

u bënë porsi bari i fushës,

porsi bari në lëndinë, bar pullazesh,

që thahet pa mbërritur pjekurinë!

27 E di kur rri,

kur del e kur kthehesh.

Edhe tërbimin tënd kundër meje:

28 u shkumite kundër meje,

krenaria jote arriti në veshët e mi!

Hundës sate mëhundëzën do t’ia vë,

në gojën tënde fre të hekurt

e do të të kthej udhës nga ke ardhur!

29 Ty Ezeki, kjo le të jetë shenja:

ha sivjet ç’të gjesh,

kurse sot një vit ç’të mbijë vetiu.

Në vitin e tretë mbillni e korrni,

mbillni vreshta dhe hani frutat e tyre.

30 Ata që të shpëtojnë prej shtëpisë së Judës,

thellë rrënjët do t’i lëshojnë,

e lart fruta do të prodhojnë;

31 sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica,

të Shpëtuarit prej malit Sion!

Dashuria përvëluese e Zotit do ta bëjë këtë!

32 Prandaj Zoti kështu thotë për mbretin e Asirisë:

S’do të hyjë, jo, në këtë qytet,

kundër tij s’do të qesë shigjetë,

kundër tij as shqyt s’do të kthejë,

s’do të thellojë kanal rreth tij!

33 Rrugës nga erdhi ai do të zmbrapset,

në këtë qytet këmba s’i shkel!

Është kjo fjala që Zoti e flet.

34 Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj

për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim”.

Humbja dhe vdekja e Senakeribit

35 Po atë natë engjëlli i Zotit hyri në fushimin e asirëve dhe i vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë asirë. Kur u ngritën herët në mëngjes, i panë të gjitha kufomat e të vdekurve. 36 Senakeribi, mbreti i Asirisë, bëri çojën dhe shkoi e u ndal në Ninivë. 37 Dhe, ndërsa po adhuronte në tempullin e Nesrokut, zotit të vet, Adrameleku dhe Sarasati, bijtë e tij, e vranë shpatë dhe ikën në tokën e armenëve. Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.

2 i Mbretërve: 20. Sëmundja dhe shërimi i Ezekisë

20

1 Ndër ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Erdhi tek ai Isaia profet, biri i Amosit, dhe i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Rregullo ç’ke për të rregulluar në familjen tënde, sepse s’do të shërohesh, por do të vdesësh’” 2 Ezekia u kthye me fytyrë prej murit dhe iu lut kështu Zotit: 3 “Deh, o Zot, të bie ndër mend se si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të thjeshtë dhe se kam bërë ç’është e pëlqyeshme para syve të tu”. Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.

4 Ende nuk e kishte kaluar Isaia tremen kryesore, dhe ja, Isaisë i qe drejtuar fjala e Zotit: 5 “Kthehu e thuaji Ezekisë, prijësit të popullit tim: Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: E dëgjova lutjen tënde dhe i pashë lotët e tu. Mirë, pra, unë po të shëroj: brenda tri ditësh ti do të ngjitesh në Shtëpinë e Zotit. 6 Ditëve të tua po ua shtoi edhe pesëmbëdhjetë vjet. Gjithashtu do të të shpëtoj ty dhe këtë qytet prej duarve të mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për shkakun tim dhe për shkak të Davidit, shërbëtorit tim”.

7 Isaia tha: “Sillni një bukëfike”. Ata e sollën e ia vunë mbi çibanin e tij dhe ai u shërua.

8 Atëherë Ezekia i tha Isaisë: “Cila është shenja se Zoti do të më shërojë dhe se do të ngjitem të tretën ditë në Tempullin e Zotit”? 9 Isaia iu përgjigj: “Kjo do të jetë shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë: A do që hija të zgjatet dhjetë shkallë, apo të kthehet prapazi po aq shkallë”? 10 Ezekia u përgjigj: “Lehtë e ka hija të zbresë dhjetë shkallë, dhe nuk dua që të ndodhë kështu, por le të kthehet prapazi dhjetë shkallë”. 11 Iu lut, pra, Isaia profet Zotit, dhe e ktheu hijen prapazi shkallëve të Akazit nëpër të cilat kishte zbritur më parë, u kthye prapa dhjetë shkallë.

Të dërguarit e Merodakbaladanit

12 Në atë kohë Merodakbaladani, biri i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i dërgoi letër dhe dhurata Ezekisë, sepse kishte dëgjuar se Ezekia ishte i sëmurë. 13 Ezekia u gëzua për ardhjen e tyre dhe ua dëftoi mbarë thesarët e vet: argjend, ar, erëra të mira, vajin e erëndshëm, armatoren dhe gjithçka gjendej në magazinat e tija: nuk la asgjë pa u treguar Ezekia prej atyre që kishte në pallat e në pronësinë e vet.

14 Atëherë erdhi Isaia profet te Ezekia dhe e pyeti: “Çka thanë këta njerëz dhe nga erdhën tek ti”? Ezekia iu përgjigj: “Erdhën prej një vendi të largët, nga Babilonia”. 15 Ai e

pyeti: “Ç’kanë parë në shtëpinë tënde”? Ezekia iu përgjigj: “Panë gjithçka është në shtëpinë time. S’ka asgjë që nuk ua dëftova në thesaret e mi”.

16 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: “Dëgjoje fjalën e Zotit:

17’Ja, po vijnë ditët e do të të merren të gjitha që janë në shtëpinë tënde, gjithçka kanë mbledhur etërit e tu deri më sot, e do të çohen në Babiloni: s’do të mbetet asgjë, thotë Zoti. 18 E prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, disa do të merren e do t’i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonit’”. 19 Ezekia i tha Isaisë: “E mirë është fjala e Zotit që the.” E mendonte: “A do të ketë veç paqe e siguri gjatë ditëve të mia”?

Përfundimi mbi mbretërimin e Ezekisë

20 Veprat e tjera të Ezekisë, të gjitha trimëritë e tija, si e ndërtoi peshkoren, ujësjellësin dhe si e solli ujët në qytet, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 21 Ezekia pushoi me etërit e vet. Në vend të tij u bë mbret Manaseu, djali i tij.

2 i Mbretërve: 21. Mbretërimi i Manaseut në Judë /687 642/

21

1 Manaseu kishte dymbëdhjetë vjet kur filloi të mbretëronte dhe mbretëroi në Jerusalem pesëdhjet e pesë vjet. Nëna i quhej Hafsibë. 2 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit sipas kobësive të popujve që Zoti i zhduku në ardhjen e bijve të Izraelit. 3 I përtëriti lartësirat që kishte rrëzuar i ati, Ezekia. Ndërtoi lterë për nder të Baalit, e punoi banirin siç e kishte punuar Akabi, mbreti i Izraelit. I adhuroi të gjitha ushtritë qiellore dhe u shërbeu. 4 Ndërtoi lterë në Shtëpinë e Zotit, për të cilën ka thënë Zoti: “Në Jerusalem do të banojë Emri im”. 5 I ndërtoi lterë mbarë ushtrisë qiellore në dy tremet e Tempullit të Zotit. 6 E kaloi djalin e vet nëpër zjarr, ushtroi shorti e magji, themeloi thirrës të vdekurish e dijetar me qëllim që të bënte të keqen para Zotit e ta bënte të hidhërohej. 7 E vendosi edhe banirin e Aserës dhe madje në Tempull, për të cilin i ka thënë Zoti Davidit e Salomonit, birit të tij: “Në këtë Tempull e në Jerusalem, të cilin e zgjodha prej të gjitha fiseve të Izraelit do të banojë përgjithmonë Emri im. 8 Sepse s’do të lejoj që këmba e Izraelit të luajë nga kjo tokë, që ua dhurova etërve të tyre me kusht që t’i zbatojnë të gjitha urdhërimet që i kam dhënë e ta mbajnë krejt Ligjin që u urdhëroi shërbëtori im Moisiu.” 9 Ata nuk dëgjuan, por i ngashnjeu Manaseu të bëjnë çka është e keqe edhe më tepër se kombet që Zoti i ndrydhi para bijve të Izraelit.

10 Atëherë foli Zoti me anë të profetëve, sherbëtorëve të vet, e tha: 11 “Pasi Manaseu, mbreti i Judës, i bëri këto kobësi tepër të tmerrshme, madje edhe më të mëdha se ato që i bënë amorrenjtë para tij dhe bëri të mëkatojë Juda me idhujt e tij, 12 për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të lëshoj të këqija mbi Jerusalem e mbi Judë, kështu që kushdo t’i dëgjojë, të dy veshët do t’i tingëllojnë. 13 Unë do ta ngreh mbi Jerusalem litarin e Samarisë dhe peshën e shtëpisë së Akabit, do ta fshij Jerusalemin sikurse kur fshihet kupa, e fshin dhe e kthen përmbys. 14 Do ta hedh larg meje Tepricën e trashëgimit tim e do ta lëshoj në dorë të armiqve të saj dhe do të bëhet pre e plaçkë për të gjithë armiqtë e saj, 15 sepse bënë çka është e keqe para meje dhe vazhduan të më hidhërojnë prej ditës që etërit e tyre dolën prej Egjiptit deri në ditën e sotme”.

16 Manaseu për më tepër derdhi edhe gjak të pafajshëm me aq shumicë, saqë e mbushi Jerusalemin deri në buzë, pa marrë parasysh mëkatet e tjera me të cilat e bëri Judën të bëjë atë që është e keqe para syve të Zotit.

17 Veprat e tjera të Manaseut dhe gjithçka bëri, si dhe mëkati i tij që e mëkatoi, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 18 Edhe Manaseu pushoi pranë etërve të vet dhe qe varrosur në kopshtin e shtëpisë së vet, në kopshtin Ozë. Në vend të tij u bë mbret Amoni, djali i tij.

Mbretërimi i Amonit në Judë /642‑640/

19 Amoni kishte njëzet e dy vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem dy vjet. Nëna e tij quhej Mesalemet. Ishte bija e Harusit prej Jetebës. 20 Bëri ç’është e keqe para Zotit, gjithë si kishte bërë Manaseu, baba i tij. 21 Ai e ndoqi pikë për pikë udhën nëpër të cilën kishte ecur baba i tij. U shërbeu idhujve, të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi ata. 22 E la Zotin, Hyjin e të parëve të vet, dhe nuk eci udhës së Zotit. 23 I vunë prita oborrtarët e tij dhe e vranë mbretin në shtëpinë e tij. 24 Populli i thjeshtë i vrau të gjithë ata që bënë përbetim kundër Amonit mbret dhe, në vend të tij, e bënë mbret të vetin Jozinë, djalin e tij.

25 Veprat e tjera të Amonit, gjithçka bëri, vallë a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? 26 E varrosën në varrin e tij, në kopshtin Ozë. Në vend të tij u bë mbret Jozia, djali i tij.

2 i Mbretërve: 22. Hyrje në mbretërimin e Jozisë në Jude /640 609/

22

1 Jozia kishte tëtë vjet kur filloi të mbretërojë dhe në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e një vjet. Nëna e tij quhej Ididë. Ishte bija e Hadajës nga Bezekati. 2 Bëri ç’ishte e pëlqyshme para Zotit dhe e ndoqi pikë për pikë udhën e Davidit, babait të vet. Nuk iu shmang as djathtas as majtas.

Zbulimi i librit të Ligjit

3 Në të tetëmbëdhjetin vit të mbretit Jozi, mbreti e dërgoi Safanin, birin e Aslisë, të birit të Mesulamit, sekretarin, në Tempullin e Zotit me këtë porosi: 4 “Shko të kryeprifti Helci! Le t’i bëjë gati paratë e dhëna në Tempullin e Zotit, që i kanë mbledhur derëtarët prej popullit e 5 le t’u jepen kryepunëtorëve të caktuar përgjegjës për Shtëpinë e Zotit për t’i paguar ata që punojnë në përmirësimin e pjesëve të dëmtuara të Tempullit të Zotit, 6 d. m. th. marangozët, ndërtuesit, muratorët dhe për të blerë lëndë e gurë të latuar për të bërë meremetime në Tempull. 7 Por të mos u njehen paratë që të marrin, sepse punojnë me ndërgjegje”.

8 Kryeprifti Helci i tha Safanit sekretar: “E kam gjetur në Shtëpinë e Zotit Librin e Ligjit!” Dhe Helcia ia dha Safanit librin. Safani e lexoi. 9 Sekretari Safan erdhi te mbreti dhe i tregoi për çfarë e kishte dërguar. I tha: “Shërbëtorët e tu i kanë marrë paratë që kanë qenë në Tempull dhe ua dhanë ndërmarrësve të punimeve, përgjegjësve të Tempullit të Zotit”.

10 Atëherë sekretari Safan e njoftoi mbretin e i tha: “Helcia kryeprift më ka dhënë një libër”. Safani filloi ta lexojë para mbretit.

Këshillim me profeteshën Holdë

11 Mbreti, kur i dëgjoi fjalët e librit të Ligjit, i shqeu petkat e veta. 12 Atëherë i urdhëroi Helcisë prift, Ahikamit, birit të Safanit, Akoborit, birit të Mikës, Safanit sekretar dhe Azajës, shërbëtorit të mbretit, duke thënë: 13 ”Shkoni dhe pyeteni Zotin lidhur me mua, me popullin e me mbarë Judën, për fjalët e këtij libri që u gjet, sepse është ndezur kundër nesh hidhërimi i madh i Zotit për arsye se nuk i dëgjuan të parët tanë fjalët e këtij libri dhe nuk zbatuan gjithçka është shkruar për ne”.

14 Shkuan, pra, Helcia prift, Ahikami, Akobori, Safani dhe Asaja te profetesha Holdë, gruaja e Selumit, birit të Tekuit, të birit të Haraasit, rojtarit të rrobave, e cila banonte në Jerusalem, në qytetin e ri. Ata folën me të 15 dhe ajo iu përgjigj: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Thuajini njeriut që ju dërgoi tek unë: 16 Kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do të çoj një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, do t’i plotësoj të gjitha fjalët e librit që lexon mbreti i Judës, 17 sepse më lanë mua e u flijuan hyjnive të huaja duke më fyer mua me të gjitha veprimet e tyre. Do të ndizet zemërimi im kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet. 18 Kurse mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u këshilluar me Zotin, thuajini kështu: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Për arsye se i dëgjove fjalët e vëllimit 19 dhe se e ke zbutur zemrën e pse je përvujtëruar para Zotit kur ke dëgjuar çfarë kam thënë unë kundër këtij vendi e kundër banorëve të tij ‑ se ky vend do të bëhet i shkretëruar e i mallkuar ‑ dhe i shqeve petkat e tua e qave para meje, unë të dëgjova ‑ thotë Zoti. 20 Për këtë arsye unë do të të bashkoj me etërit e tu; do të bashkohesh me ta në paqe në varrin tënd, që sytë e tu të mos i shohin të gjitha këto të këqija që do t’i sjell mbi këtë vend.” Të dërguarit ia kthyen përgjigjen mbretit.

 

2 i Mbretërve: 23. Leximi kremtor i Ligjit

23

1 Atëherë mbreti dërgoi të mblidheshin tek ai të gjithë krerët e Judës e të Jeru‑ salemit. 2 Atëherë mbreti shkoi në Tempullin e Zotit e me të edhe të gjithë njerëzit e Judës e të gjithë banorët e Jerusalemit: priftërinj, profetë dhe mbarë populli, i madh e i vogël. Dhe ua lexoi të gjitha fjalët e librit të Besëlidhjes që u gjet në Shtëpinë e Zotit. 3 Mbreti, në këmbë në podin e vet, lidhi para Zotit Besëlidhjen, që detyron të ecet pas Zotit, të mbahen të gjitha urdhërimet e tija, dëshmitë e ligjet me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i plotësuar të gjitha fjalët e kësaj Besëlidhjeje, që ishin të shkruara në këtë libër. Mbarë populli e pranoi Besëlidhjen.

Ripërtëritja religjioze në Judë

4 Atëherë mbreti i urdhëroi Helcisë kryeprift, priftërinjve të rendit të dytë dhe derëtarëve që t’i nxjerrin jashtë Shtëpisë së Zotit të gjitha gjërat e punuara për nder të Baalit, të Aserës e të mbarë ushtrisë qiellore. Të gjitha i dogji jashtë Jerusalemit, në luginën e Cedronit e hirin e tyre e shpuri në Betel. 5 I zhduki rojtarët që mbretërit e Judës i kishin emëruar për të flijuar në lartësira nëpër qytetet e Judës e në rrethinën e Jerusalemit dhe të gjithë ata që u kushtonin kem Baalit, Aserës, diellit, hënës, yjeve dhe mbarë ushtrisë qiellore. 6 Urdhëroi të nxirret baniri nga Shtëpia e Zotit, jashtë Jerusalemit, në luginën e Cedronit dhe aty e dogji dhe e bëri hi dhe e hodhi mbi varrin e përbashkët. 7 I rrënoi edhe ndërtesat e lavireve të kushtuara, që ishin në Shtëpinë e Zotit, në të cilat gratë qëndisnin petka për Aserën.

8 Mblodhi të gjithë priftërinjtë prej qyteteve të Judës dhe i përdhunoi të gjitha lartësirat ku këta priftërinj kishin flijuar prej Gaasë e deri në Bersabejë. I rrënoi edhe lartësirat e këmbëpra‑ pshtëve në hyrje të derës së Jozuehit, kryetarit të qytetit, në krahun e majtë të atij që hyn nëpër derën e qytetit. 9 Megjithatë priftërinjtë e lartësirave nuk guxonin të ngjiteshin në lter të Zotit në Jerusalem, por mund të hanin bukën e pabrumë në mes të vëllezërve të vet.

10 Ai e përdhunoi gjithashtu edhe Tofetin, që është në fushën Benenom, që të mos i flijojë më askush djalin ose vajzën e vet në zjarr Molokut. 11 I zhduki kuajt që i kishin kushtuar mbretërit e Judës diellit në hyrje të Tempullit të Zotit pranë dhomës së oborrtarit Natanmelek, që ishte në Farurim, kurse qerren e diellit e dogji në zjarr. 12 Po ashtu edhe lterët që ishin mbi tarracë të dhomës së lartë të Akazit, që i kishin ndërtuar mbretërit e Judës si dhe lterët që i kishte ndërtuar Manaseu në dy tremet e Tempullit të Zotit, Jozia mbret i rrënoi dhe i bëri grimë aty, kurse pluhurin e tyre e treti në përruan Cedron. 13 Po ashtu edhe lartësirat që gjendeshin përballë Jerusalemit, në krahun e djathtë të malit të Humbjes, të cilat i kishte ndërtuar Salomoni, mbreti i Izraelit, për nder të Astarotit, idhullit të sidonëve, Kamosit, idhullit të moabitëve dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit, mbreti i përdhunoi.

14 Pastaj i copëtoi gurngulët, i preu banirët dhe gropat e tyre i mbushi me eshtra njerëzish.

Shtrihet përtëritja edhe në Mbretërinë e vjetër të Veriut

15 Jozia e rrënoi gjithashtu edhe lterin që ishte në Betel, lartësirë të cilën e kishte ndërtuar Jeroboami, biri i Nabatit, që e bëri Izraelin të mëkatojë; e rrënoi këtë lter dhe lartësirën, e dogji dhe e bëri pluhur. E dogji edhe banirin.

16 Jozia u soll e pa aty varre që ishin në kodër, dërgoi e mori prej varresh eshtra, i dogji mbi lter dhe kështu e përdhunoi sipas fjalës së Zotit që e kishte shpallur njeriu i Hyjit, kur Jeroboami ditën e festës ishte ngjitur në lter. U soll dhe ia nguli sytë varrit të njeriut të Hyjit, që i kishte thënë këto fjalë, 17 e tha: “Ç’është kjo përmendore që po e shoh”? Banorët e atij qyteti u përgjigjën: “Është varreza e njeriut të Hyjit, që erdhi prej Judës e i tha fjalët, të cilat ti i çove në vend mbi lterin e Betelit”. 18 Jozia tha: “Mos e prekni! Askush të mos ia luajë eshtrat”! Kështu s’u prekën eshtrat e tij as eshtrat e profetit që kishte ardhur prej Samarisë.

19 Jozia gjithashtu i zhduku të gjithë tempujt e lartësirave, që ishin në qytetet e Samarisë që i kishin ndërtuar mbretërit e Izraelit për ta nxitur Zotin të hidhërohet. Bëri me ta po ashtu siç veproi në Betel. 20 I flijoi të gjithë priftërinjtë e lartësirave që ishin aty mbi lterë, dhe mbi ta dogji eshtra njerëzish. Pastaj u kthye në Jerusalem.

Kremtimi i Pashkëve

21 Mbreti i dha mbarë popullit këtë urdhër: “Kremtoni Pashkët për nder të Zotit, Hyjit tuaj, sipas mënyrës që është shkruar në librin e kësaj Besëlidhjeje”. 22 E nuk ishin kremtuar në një mënyrë të tillë Pashkët që nga koha e gjyqtarëve që e gjykuan Izraelin dhe gjatë tërë kohës së mbretërve të Izraelit e të Judës! 23 Pashkë të tilla për nder të Zotit në Jerusalem u kremtuan vetëm të tëtëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Jozisë!

Përfundim mbi reformën fetare

24 Jozia zhduku gjithashtu të gjithë magjistarët, dijetarët, terafimët, idhujt e të gjitha turpësitë që ishin në tokën e Judës e në Jerusalem, me qëllim që t’i çonte në vend fjalët e Ligjit, që janë të shkruara në librin që gjeti në Tempullin e Zotit kryeprifti Helci.

25 Nuk kishte para tij një mbret të tillë që të jetë kthyer prej Zotit sikur ai me gjithë zemrën e vet, me gjithë shpirtin e vet me krejt qenien e vet pikë për pikë sipas Ligjit të Moisiut. Po as pas tij nuk u ngirt një tjetër i ngjashëm me të.

26 Megjithatë Zoti nuk e fiku zjarrin e madh të zemërimit të vet që kishte ndezur kundër Judës për shkak të të gjitha fyerjeve, me të cilat e kishte ngacmuar Manaseu. 27 Prandaj edhe vetë Zoti tha: “Larg do ta flak edhe Judën prej pranisë sime siç e treta Izraelin, do ta përbuz edhe këtë qytet që vetë e zgjodha, Jerusalemin edhe Shtëpinë, për të cilën pata thënë: ‘Në të do të banojë Emri im. ’”

Fundi i mbretërisë së Jozisë

28 Veprat e tjera të Jozisë e gjithçka bëri, vallë a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

29 Në kohën e tij faraoni Nekao, mbreti i Egjiptit, doli kundër mbretit të asirëve në lumin Eufrat. Mbreti Jozi i doli përpara, por ai, kur pa, e vrau në Magedo. 30 Të vdekur e bartën prej Magedos në karrocën e shërbëtorit të vet, e sollën në Jerusalem dhe e varrosën në varrin e tij. Popullsia e vendit morën Joakazin, birin e Jozisë, e shuguruan dhe e bënë mbret në vend të babait të tij.

4. RRËNIMI I JERUSALEMIT

Mbretëria e Joakazit në Judë /609/

31 Joakazi kishte njëzet e tri vjet kur u bë mbret. Mbretëroi në Jerusalem vetëm tre muaj. Nëna e tij quhej Amital. Ishte bija e Jeremisë, prej Lobnës. 32 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, krejtësisht porsi të parët e tij. 33 Faraoni Nekao e lidhi në hekura në Reblë, që është në tokën e Ematit, që të mos mbretëronte në Jerusalem. Faraoni Nekao i vuri vendit tatim njëqind talenta argjend e një talent ar 34 dhe e bëri mbret Eliacimin, birin e Jozisë, në vend të Jozisë, babait të tij, dhe ia ndërroi emrin dhe e quajti Joakim, kurse Joakazin e mori rob, e çoi në Egjipt dhe atje vdiq. 35 Joakimi ia dha faraonit argjendin dhe arin, por ngarkoi popullin me tatime për të mbledhur shumën që kërkonte faraoni. Secilin e ngarkoi të paguajë sipas gjendjes së tij argjend e ar për t’ia dhënë faraonit Nekao.

Mbretërimi i Joakimit në Judë /609‑598/

36 Joakimi kishte njëzet e pesë vjet kur u bë mbret. Mbretëroi në Jerusalem njëmbëdhjetë vjet. Nëna e tij quhej Zebidë. Ishte bija e Fadajës nga Ruma. 37 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, krejtësisht siç vepruan edhe të parët e tij.

2 i Mbretërve: 24. Hyrje në mbretërinë e Joakinit /598/

24

1 Në kohën e tij erdhi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, dhe Joakimi ra nën pushtetin e tij për tri vjet. Atëherë bëri kryengritje kundër tij. 2 Por Zoti çoi kundër tij çeta kaldenjsh, çeta sirianësh, çeta moabitësh e çeta amonësh.

Zoti i dërgoi kundër Judës për ta shuar sipas fjalës së Zotit që e kishte folur me gojë të shërbëtorve të vet profetë. 3 E u bë kështu për shkak të hidhërimit të Zotit kundër Judës, sepse deshi ta fshijë prej pranisë së vet për shkak të mëkateve të Manaseut, për të gjitha ato që kishte bërë 4 dhe për shkak të gjakut të pafajshëm që derdhi dhe e mbushi Jerusalemin me gjak të të pafajshmëve. Kjo qe arsyeja që Zoti nuk deshi ta falë.

5 Veprat e tjera të Joakimit dhe gjithçka ndërmori, pse a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? Joakimi pushoi me etërit e vet. 6 Mbret në vendin e tij u bë Joakini, biri i tij.

7 Mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i vet, sepse mbreti i Babilonit kishte pushtuar gjithçka kishte qenë në pushtetin e mbretit të Egjiptit prej përroit të Egjiptit e deri në lumin e Eufratit.

Hyrje në mbretërinë e Joakinit /598/

8 Joakini kishte tëtëmbëdhjetë vjet kur u bë mbret dhe mbretëroi në Jerusalem tre muaj. Nëna e tij quhej Nestë. Ishte bija e Elnatanit prej Jerusalemit. 9 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit gjithë si kishte vepruar edhe i ati.

Shpërngulja e parë me dhunë

10 Në atë kohë shërbëtorët e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, erdhën kundër Jerusalemit dhe e rrethuan qytetin.

11 Ndërsa shërbëtorët e tij po mbanin në rrethim qytetin, erdhi edhe vetë Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kundër qytetit. 12 Atëherë Joakini, mbreti i Judës, doli te mbreti i Babilonisë, ai, nëna e tij, oborrtarët e tij, prijësit e tij dhe zyrtarët e tij. Mbreti i Babilonisë e zuri rob në të tetin vit të mbretërimit të vet.

13 Sipas fjalës së Zotit Nabukodonosori mori prej andej të gjithë thesaret e Shtëpisë së Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i theu të gjitha enët e arta që i kishte punuar Salomoni, mbreti i Izraelit, për Tempullin e Zotit. 14 E shpërnguli me dhunë mbarë Jerusalemin, të gjithë krerët dhe të gjithë luftëtarët e fortë: dhjetë mijë vetë të humbur bashkë me farkëtarë e me marangozë; mbeti vetëm populli i varfër i vendit. 15 Po ashtu shpërnguli me dhunë në Babilon edhe Joakinin, nënën e mbretit, gratë e mbretit, oborrtarët e tij, bujarët e vendit, të gjithë i treti në mërgim prej Jerusalemit në Babiloni. 16 Të gjithë njerëzit e aftë, rreth shtatë mijë, po ashtu edhe farkëtarë e marangozë rreth njëmijë, të gjithë luftëtarët: mbreti i Babilonisë i çoi robër në Babiloni. 17 Mbreti i Babilonisë e bëri mbret Mataninë në vend të tij. Ishte ungji i Joakinit. Matanisë ia ndërroi emrin dhe e quajti Sedeci.

Hyrje në mbretërimin e Sedecisë në Judë /598‑587/

18 Kur filloi të mbretërojë Sedecia, kishte njëzet e një vjet.

Në Jerusalem mbretëroi njëmbëdhjetë vjet. Emri i nënës së tij ishte Amital. Ishte bija e Jeremisë prej Lobnës. 19 Bëri ç’është e keqe para syve të Zotit, gjithë si kishte bërë Joakimi. 20 Zoti vazhdonte të hidhërohej kundër Jerusalemit dhe kundër Judës derisa i largoi prej pranisë së vet.

Sedecia pastaj bëri kryengritje kundër mbretit të Babilonisë.

2 i Mbretërve: 25. Rrethimi i Jerusalemit

25

1Të nëntin vit të mbretërimit të Sedecisë, në muajin e dhjetë, të dhjetën ditë të muajit, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me tërë ushtrinë e vet para Jerusalemit. E rrethuan në çdo anë dhe u fortifikuan në rrethim. 2 Qyteti mbeti i rrethuar dhe i mbyllur deri në të njëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Sedecisë.

3 Të nëntën ditë të muajit të katërt u bë uri e madhe, saqë populli i thjeshtë s’kishte as bukë të thatë. 4 U hap një vrimë në qytet. Atëherë të gjithë luftëtarët ikën e dolën prej qytetit natën nëpër një derë që është nën murin e dyfishtë te kopshti i mbretit, megjithëse kaldenjtë e mbanin rrethimin ngado përreth. Ikën, pra, dhe morën rrugën drejt Arabës. 5 Ushtria e kaldenjve e ndoqi pas mbretin dhe e zunë në fushën e Jerikut, sepse mbarë ushtria e tij u thye e iku duke e lënë mbretin vetëm. 6 Pasi e kapën, pra, mbretin, e sollën në Reblë, te mbreti i Babilonisë. Ky edhe i caktoi dënimin: 7 djemtë ia vrau ndër sy të tij, pastaj Sedecisë ia nxori sytë, e lidhi në zinxhirë të bronztë dhe e çoi në Babiloni.

Rrënimi i Jerusalemit dhe shpërngulja e dytë e popullit

8 Në të pestin muaj, të shtatën ditë të muajit, të të nëntëmbëdhjetit vit të mbretërimit të mbretit të Babilonisë, Nabusardani, koman‑ danti i rojës trupore, shërbëtori i mbretit të Babilonisë, erdhi në Jerusalem. 9 Dogji Shtë‑ pinë e Zotit, pallatin e mbretit dhe të gjitha shtëpitë e Jerusalemit: me zjarr dogji çdo shtëpi. 10 Mbarë ushtria e kaldenjve që ishte me komandantin e rojës trupore, i rrëzoi muret rrethuese të Jerusalemit. 11 Nabusardani, kryetari i rojës trupore, e shpërnguli me dhunë pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur ende në qytet si dhe tradhtarët që kishin kaluar në anën e mbretit të Babilonisë, dhe mbarë popullin tjetër. 12 La vetëm disa prej popullit të varfër si vreshtarë e bujq.

13 Shtyllat e bronzta që ishin në Shtëpinë e Zotit, bazat, detin e bronztë, që ishte në Shtëpinë e Zotit, kaldenjtë i thyen dhe bronzin e të gjithave e çuan në Babiloni. 14 Gjithashtu morën edhe kusi, lopata, pirunj, thika, kupa, të gjitha enët e bronzta që përdoreshin në shërbesë fetare; 15 po ashtu edhe kemoret e arta dhe spërkatëset e argjendta: gjithçka ishte prej arit ose prej argjendit e mori kryetari i rojës trupore. 16 Lidhur me dy shtyllat, Detin ‑ që ishte një ‑ dhe me bazat, që i kishte punuar Salomoni për Tempullin e Zotit: pesha e bronzit e të gjitha këtyre enëve nuk mund të matej. 17 Njëra shtyllë ishte e lartë tetëmbë‑ dhjetë kute e mbi të kishte kapitelin e lartë pesë kute. Pastaj kishte gërshetin dhe shegat e bronzta mbi kapitel gjithkund përreth që të gjitha të bronzta; të njëjtat stoli i kishte edhe shtylla tjetër.

18 Kryetari i rojës trupore i mori robër Serajën, priftin e parë, Sofoninë, priftin e dytë dhe tre rojtarët e pragut të Tempullit. 19 Prej qytetit mori edhe një oborrtar të mbretit, oficer ushtrie, pesë vetë prej atyre që ishin në shërbimin e mbretit e që i gjeti në qytet, sekretarin e kryetarit të ushtrisë që rishtaronte për ushtri djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë prej popullit. 20 Nabusardani, kryetari i rojës trupore të mbretit, i çoi këta në Reblë para mbretit të Babilonisë. 21 Mbreti i Babilonisë i goditi dhe i vrau në Reblë, në tokën Emat.

Kështu populli i Judës qe shpërngulur me dhunë nga vendi i vet.

Godolia, qeveritar i Judës

22 Popullit që mbeti në Judë, e kishte lënë në vend, mbreti i Babilonisë Nabukodonosori i vuri për kryetar Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit. 23 Kur morën vesh kapedanët e të gjitha çetave se Godolia ishte vënë prej mbretit të Babilonisë për qeveritar, shkuan tek ai në Masfë, ata dhe të gjithë njerëzit e tyre. Ishin: Ismaheli, biri i Natanisë, Johanani, biri i Kareesë, Saraja, biri i Tanehumetit netofatas, edhe Jezonia, biri i Mahakatitit, të gjithë këta me shokët e tyre. 24 Godolia u dha atyre dhe shokëve të tyre këtë zotim me përbetim: “Mos kini frikë të jeni në numrin e shërbëtorëve të kaldenjve. Qëndroni në vendin tuaj e shërbejini mbretit të Babilonisë! Do të jeni mirë.”

25 Porse ndodhi që të shtatin muaj erdhi Ismaheli, biri i Natanisë së Elisamës, prej shtëpisë mbretërore, me dhjetë vetë, e goditën Godolinë e ai vdiq, dhe judenjtë e kaldenjtë që ishin me të në Masfë. 26 Atëherë mbarë populli, i vogël e i madh, dhe kapedanët e çetave u çuan e zbritën në Egjipt prej frikës së kaldenjve.

 

Falje mbretit Joakin

27 Dhe ja, në vitin e tridhjeteshtatë pasi mbreti i Judës, Joakini qe humbur rob, në të dymbëdhjetin muaj, të njëzeteshtatën ditë të muajit, Evilmerodaku, mbreti i Babilonisë, atë vit që u bë mbret, Joakinin, mbretin e Judës, e liroi prej burgut. 28 Bisedonte me butësi me të dhe i caktoi një karrigë më të lartë se mbretërve të tjerë që ishin me të në Babiloni. 29 I ndërroi edhe petkat që i kishte bajtur në burg dhe hante bukë në praninë e tij gjithmonë, në të gjitha ditët e jetës së tij. 30 I qenë caktuar edhe mjetet për jetesën e përditshme dhe ato i jepeshin prej mbretit çdo ditë për gjithë jetën e tij.