2 e Timoteut: 1. Falënderim Hyjit

1

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus: 2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Falënderim Hyjit

3 E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në lutja të mia natë e ditë. 4 Dhe, kur më bien në mend lotët e tu, më kap një dëshirë e madhe të të shoh ty që të mbushem me gëzim. 5 Kujtoj fenë e çiltër që është në ty, që më parë ishte në gjyshen tënde Loidën dhe në nënën tënde Eunikën dhe jam i bindur se banon edhe në ty.

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. 7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë. 8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, 9 i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prejamshimit në Jezu Krishtin 10 dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit, 11 për të cilin Hyji më caktoi të jem predikatar, apostull dhe mësues.

12 Ja, pra, përse unë edhe i duroj këto vuajtje! Por nuk më vjen turp sepse e di se kujt i kam besuar dhe jam i sigurt se Ai është i zoti ta ruajë thesarin që m’u besua deri në atë Ditë.

13 Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. 14 Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, thesarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua.

15 Do të kesh marrë vesh se në Azi të gjithë ikën e më lanë. Ndër ta janë edhe Figeli dhe Hermogeni. 16 Hyji e pajistë me mëshirën e vet familjen e Oneziforit sepse shpeshherë ma ka freskuar shpirtin dhe nuk ka pasur turp për prangat e mia. 17 Përkundrazi, kur erdhi në Romë, më kërkoi me kujdes dhe më gjeti – 18 ia dhëntë Zoti fatin të gjejë mëshirën hyjnore në Ditën e Gjyqit! Por edhe sa shërbimet m’i bëri në Efes, ti i di më mirë se askush!

2 e Timoteut: 2. Ushtari i mirë i Krishtit

2

1 Ti, pra, o biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus, 2 dhe çka dëgjove prej meje në praninë e shumë dëshmitarëve, ato mësojua njerëzve besimtarë, atyre që do të jenë të aftë t’i mësojnë edhe të tjerët.

3 Vuaj edhe ti bashkë me mua porsi ushtari i mirë i Krishtit Jezus. 4 Askush veç, që merr mbi vete detyrën e ushtarit, nuk ngatërrohet me punët e jetës së rëndomtë që t’i pëlqejë atij që e mori në ushtri.

5 Gjithashtu edhe në garën sportive, atleti nuk e merr kurorën nëse nuk ka luftuar sipas rregullave.

6 Bujku që punon, duhet i pari ta marrë pjesën e vet të prodhimit.

7 Merre vesh çka dua të të them. Patjetër, vetë Zoti do të ta japë mundësinë t’i kuptosh të gjitha këto.

8 Kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, 9 për shkak të të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! 10 Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme.

11 E vërtetë është kjo fjalë: »Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë.

12 Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit.

13 Nëse ne nuk jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten«.

Punëtori i mirë

14 Kujtoji këto gjëra duke u përbetuar para Hyjit se nuk duhen bërë rragatje fjalësh: ato akujt s’i vlejnë gjë. Janë vetëm për rrënim të atyre që dëgjojnë. 15 Mundohu t’i dalësh para Hyjit si punëtori i sprovuar që nuk ka për çka të turpërohet, që flet e pret, pra, drejt fjalën e së vërtetës. 16 Fjalëve të kota të shekullit ikju, sepse atyre që merren me to gjithnjë e më tepër do t’u shtohet mbrapshtia. 17 Fjala e tyre do të brejë si qimja. Ndër ta janë Himeneu dhe Fileti, 18 të cilët e lanë rrugën e së vërtetës duke pohuar se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu e prishin fenë e disave.

19 Megjithatë, themeli i fortë i vënë prej Hyjit qëndron i palëkundshëm – është nën këtë vulë:

»Hyji i njeh ata që janë të tijtë«.

dhe:

»Secili që e përmend Emrin e Zotit, le t’i largohet të keqes!«

20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë ari dhe argjendi, por ka edhe druri dhe argjile; disa janë për përdorim bujar, kurse disa për përdorim jo bujar. 21 Ai që pastrohet prej këtyre ndyrësive do të jetë enë bujare, e shenjtëruar, e dobishme për Zotërinë, e përshtatshme për çdo vepër të mirë.

22 Lakmimeve plot zjarr të rinisë, iku! Përkundrazi, jepu me gjithë afsh të zemrës pas drejtësisë, fesë, dashurisë, paqes bashkë me të gjithë ata që e thërrasin në ndihmë me zemër të pastër Zotin. 23 Rragatjet e marra dhe të parregullta refuzoji, duke e ditur se shkaktojnë grindjen. 24 Sepse, shërbëtori i Zotit nuk duhet të jetë grindavec, por duhet të jetë i sjellshëm me gjithkënd, i aftë të mësojë, i durueshëm në fyerje, 25 i ëmbël në qortim të kundërshtarëve me shpresë se Hyji u jep dhuratën e kthimit që ta njohin të vërtetën, 26 dhe të vijnë në vetë për t’u çliruar nga nga laku i djallit, në të cilin i ka zënë robër të vullnetit të vet.

2 e Timoteut: 3. Karakteri i njerëzve të ditëve të fundit

3

1 Edhe këtë duhet ta dish: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira. 2 Sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues të hollash, krenarë, madhështorë, blasfemues, nuk do t’i dëgjojnë prindërit, të mosmirënjohës, ateistë, 3 të padhimbshëm, të papajtueshëm, shpifës, të panënshtrueshëm, të panjerëzishëm, të dhunshëm, që s’e duan të mirën, 4 tradhtarë, të ngutshëm, të verbuar prej krenarisë, të dhënë më fort pas ëndjes se sa pas Hyjit. 5 Ata do ta ruajnë dukjen e jashtme të përshpirtërisë, por kanë për ta mohuar fuqinë e saj. Edhe këtyre iku! 6 Prej këtyre janë ata që hyjnë nëpër shtëpi dhe i shtiejnë në leqet e veta gratë e ngarkuara me mëkate, të nxitura nga lloj-lloj prirjesh, 7 të cilat gjithmonë mësojnë e kurrë nuk mund ta arrijnë njohurinë e së vërtetës. 8 Sikurse edhe Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërshtojnë së vërtetës. Janë njerëz të prishur në tru e, në çështje të fesë, batalla. 9 Por nuk do të përparojnë më sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh siç u ngjau edhe atyre.

Ti qëndro i palëkundshëm

10 Ti veç, më ke përcjellë për së afërmi në mësimin tim, në sjellje, në synime, në fe, në duresë, në dashuri, në qëndresë, 11 në salvime, në mundime, që më ndodhën në Antioki, në Ikon, në Listër. Se ç’salvime kam sprovuar! por prej të gjithave Zoti vetë më shpëtoi. 12 Veçse edhe të gjithë ata që duan të jetojnë me përshpirtëri në Krishtin Jezus, do të salvohen. 13 Përkundrazi, njerëzit e këqij dhe gënjyes do të përparojnë prej së keqes në më zi – duke gënjyer të tjerët dhe duke u gënjyer edhe ata vetë.

14 Ti veç, qëndro në mësimin që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove 15 dhe se që prejfëmijërisë e njeh Shkrimin e shenjtë, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. 16 I tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të rregullluar, për të edukuar në drejtësi, 17 që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

2 e Timoteut: 4. Porositë personale

4

1 Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash Ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij: 2 predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! 3 Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; 4 do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave. 5 Ti veç rri zgjuar në çdo gjë me kujdes, duroji të vështirat, kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde!

6 Sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! 7 Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. 8 Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.

Porositë personale

9 Nisu dhe eja sa më parë te unë, 10 sepse Dema, për dashuri të këtij shekulli, më la vetëm. Ai shkoi në Selanik, Kreshenci në Galaci, Titi në Dalmaci. 11 Me mua është vetëm Luka. Markun merre dhe bjere me vete sepse e kam të dobishëm për shërbesë. 12 Tihikun e dërgova për Efes.

13 Kur të vish, ma bjer tabaren që e lashë te Karpi në Troadë. Po ashtu edhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandri farkëtar më bëri shumë të këqija: Zoti do t’ia kthejë sipas veprave të tij. 15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i predikimeve tona.

16 Në mbrojen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! 17 Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. 18 Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!

Përshëndetjet e fundit

19 Bëju të fala Priskës dhe Akullit edhe familjes së Oneziforit.

20 Erasti zuri vend në Korint. Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.

21 Nesu dhe eja para dimrit!

Të përshëndesin Eubuli, Pudenci, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zoti qoftë me shpirtin tënd!

Hiri qoftë me ju!