LIBRAT E MAKABENJVE
Makabenjtë Epope qëndrese fetare e kombëtare Titulli - Librat quhen Libri i parë dhe i dytë i Makabenjve dhe emërohen sipas Judës Makabe. Makabe u
quajt Juda, biri i Matatisë, e, prej tij me këtë emër, u quajt mbarë familja. Vetë fjala Makabe është e
diskutueshme ende ndër biblistë. Mendimi i përgjithshëm është se rrjedh nga fjala Maqqabah, që do të
thotë: maj, çekiç i madh, ose maqqabyahu - i caktuar prej Hyjit.
Librat në kontekstin historik - Pas vdekjes së Lekës së Madh /323 para Kr./, perandoria e tij ndahet në
shumë pretendentë të fronit. Në Lindjen e Afërme, që është pjesa e interesimit tonë, u formuan dy shtete
të mëdha: Siria me kryeqytet Antiokinë, me dinastinë e Seleukajve dhe Egjipti me kryeqytet Aleksandrinë
e me dinastinë e Ptolemenjve. Ndërmjet tyre mbeti Palestina, e cila deri në vitin 200. para Kr., gëzoi një
farë pavarësie besimi, por pasi erdhi në sundim Antioku IV Epifan, filluan salvimet. Qëllimi i monarkut
ishte të trajtojë në mbarë mbretërinë një besim të vetëm, merret vesh pagan, dhe një gjendje të ngjashme
shoqërore. Edhe në Popullin e zgjedhur u gjend një pjesë bukur e madhe e popullit që anonte ta pranojë.
Dy librat përshkruajnë rezistencën e Popullit të zgjedhur në krye me Matatinë me djem, ku vend të veçantë
ka Juda Makabe, kundër kësaj kërkese të pushtetit helenizues pagan.
Dy Librat e Makabenjve nuk janë vazhdimësi e kësaj rezistence, por Libri i dytë është paralel me të parin
deri në k. 7. përfshirë.
Libri i parë i Makabenjve
Epope e një rezistence të mrekullueshme Ngjarjet që na paraqet libri sjellin të dhëna historike për periudhën që nga viti 175-134, para Kr.
Autori dhe koha e krijimit - Autori edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur. Libri u shkrua hebraisht nga
një çifut i përshpirtshëm, i ditur dhe njohës i mirë i çështjeve që paraqet. Teksti në origjinal u shkrua
hebraisht e, megjithëse shën Jeronimi thotë se e ka parë, te ne nuk arriti, por vetëm në përkthime. Kisha e
bëri të vetin përkthimin greqisht dhe që në fillim e pranoi si libër të shenjtë e të frymëzuar ndër librat
deuterokanonikë.
Ndarja e librit - Libri zakonisht ndahet:
1. Parathënie 1, 1 - 64;
2. Matatia nis luftën e shenjtë 2,1 - 70;
3. Juda Makabe udhëheqës i çifutëve 3,1 - 9,22;
4. Jonatani udhëheqës i çifutëve 9,23 - 12,53;
5. Simoni kryeprift e udhëheqës i çifutëve 13,1 - 16,24.
Gjinia letrare - Libri është historik ashtu siç shkruheshin librat e historisë së kohës. Vërtet historia e tij
është fragmentare, por e bazuar e kronologjike. Duhet pasur parasysh se ai s’ka për qëllim të paraqesë
ftohtazi ngjarjet historike, por, si besimtar, ka për qëllim, t’u japë zemër lexuesve e t’i ngushëllojë. I bindur
se me rrjedhën e historisë drejton Perëndia, kërkon që të kuptohet se qëndresa me të gjitha të vështirat që
sjell, sjell nderin dhe lumturinë. Zotit nuk ia përmend emrin në shenjë nderimi, por e emërton “Qielli”.
Porosia - Me Librin e parë autori porosit çfarë mund të bëjë besimi i vërtetë për të mirën e kombit e për
zhvillimin e për ruajtjen e tij. Por edhe historia e mëvonshme e Hasmodenjve vë bukur në pah se pushteti
dhe fuqia, kur lihet pas dore besimi i vërtetë, çojnë lehtë në padrejtësi edhe ndaj kombit të vet, kurse
salvimet e padrejta rrasin rreshtat e bashkëkombëtarëve, forcojnë fenë dhe në komb përftojnë heronj.
PARATHËNIE
Aleksandri i Madh e ndarja e perandorisë
Kap. 1
1
Pasi Aleksandri biri i Filipit, maqedonas, që më parë mbretëroi në Greqi, doli nga dheu Ketim, e goditi
Dariun, mbretin e persianëve e të medëve, 2 ndërmori shumë luftëra, pushtoi qyteza dhe i vrau mbretërit
vendës, 3 atëherë arriti deri në skajin e tokës e pushtoi shumë popuj. Atëherë toka mbarë heshtoi para tij,
iu rrit mendja e zemra iu mbush me kreni. 4 Bashkoi një ushtri tejet të fortë, nënshtroi krahina, kombe e
princa e i bëri t’i paguajnë të dhjetat e varësisë. 5 Atëherë u sëmur dhe e pa se po vdiste. 6 I thirri oficerët e
vet, bujarët që kishin qenë rritur bashkë me të që në moshën e re dhe, ndërsa ishte ende gjallë, ua ndau
mbretërinë e vet. 7 Aleksandri vdiq pasi kishte mbretëruar dymbëdhjetë vjet. 8 Oficerët e morën pushtetin
secili në krahinën e vet. 9 Pas vdekjes së tij të gjithë u kurorëzuan, kështu edhe bijtë e tyre pas tyre gjatë
vjetëve vijues. Kështu u shumëzuan të këqijat mbi tokë.
Antioku Epifan dhe depërtimi i helenizmit në Izrael
10
Prej tyre ngalliti një pinjoll i patenzonë, Antiok Epifani, biri i mbretit Antiok, që kishte qenë në Romë
peng. Ky u bë mbret në vitin njëqind e tridhjetë e shtatë të mbretërisë së grekëve. 11 Ndër ato ditë u ngritën
nga Izraeli disa njerëz të këqij, të cilët ua mbushën mendjen një shumice duke u thënë: “Të shkojmë e të
bëjmë lidhje me kombet që na rrethojnë, sepse, qysh se u ndamë prej tyre, na gjetën shumë të këqija.” 12
Shumicës i pëlqeu kjo gjë. 13 Disa prej popullit morën vendim e shkuan te mbreti, i cili u dha të drejtë t’i
shtien në veprim doket e paganëve. 14 Ndërtuan në Jerusalem një gjimnastikore sipas dokeve të paganëve;
15
e ndreqën shenjën e rrethprerjes, i ranë mohit besëlidhjes së shënjtë dhe u shoqëruan me paganë: u shitën
për të bërë të keqen.
Sulmi i parë kundër Egjiptit e plaçkitja e Tempullit
16
Kur Antioku e përforcoi pushtetin e vet, ai synoi të pushtojë Egjiptin që të mbretronte mbi të dy
mbretëritë.
17
Hyri në Egjipt me një ushtri tejet të madhe, me karroca lufte, me elefantë, me kalorës e me anije të
shumta. 18 Nisi luftën kundër Ptolemeut, mbretit të Egjiptit. Ptolemeun e kapi frika prej tij dhe iku. Shumë
njerëz mbetën të vrarë. 19 U pushtuan fortesat e Egjiptit e Antioku e plaçkiti dheun e Egjiptit.
20
Pasi e theu Egjiptin, Antioku u kthye në vitin njëqind e dyzet e tre dhe e sulmoi Izraelin, e me një ushtri
të madhe hyri në Jerusalem. 21 Me kreni të madhe hyri në Shenjtërore, rrëmbeu lterin e artë, shandanin e
dritës me të gjitha veglat e tija, 22 tryezën e kushtimit të bukëve, enët e njomjes, gotat, kemoret e arta, velin,
kezat dhe të gjitha stolitë e arta në ballanikun e Tempullit dhe s’la gjë. 23 Plaçkiti argjend, ar dhe enët e
çmueshme; i gjeti dhe i rrëmbeu vishtarët e fshehtë. 24 Pasi mori krejt çka gjeti, u kthye në vendin e vet,
vrau shumë njerëz e fliste me krenari të madhe.
25
U bë vaj i madh në Izrael në çdo vend të tyre.
Rënkuan prijës e pleq,
u mekën të reja e të rinj,
u zhduk bukuria e grave.
26
27
Çdo dhëndërr vajit ia nisi,
në zi u mbështoll në dhomën e vet nusja.
28
U trand toka për banorët e vet,
mbarë shtëpia e Jakobit u mbulua me turp.
Mbikëqyrësi i tatimeve e ndërtimi i Qytezës
29
Pas dy vjetëve mbreti dërgoi mbikëqyrësin e tatimeve në qytetet e Judës. Ai erdhi në Jerusalem me një
ushtri të madhe.
30
Ai u drejtoi me dredhi fjalë paqeje edhe ata i besuan. Atëherë u sul papritmas kundër qytetit, i dha goditje
të mëdha e vrau shumë nga populli i Izraelit. 31 Plaçkiti gjithçka pati në qytet, qytetin e dogji, i rrënoi
shtëpitë e tija dhe ia rrafshoi muret e rrethimit. 32 Gra e fëmijë u morën në skllavëri dhe i rrëmbyen për
vete të gjitha bagëtitë. 33 Qytetin e Davidit e ndërtuan me mur të madh e të fortë e me pirgje të forta dhe
kështu u bë fortesa e tyre. 34 Në të venduan njerëz të poshtër, njerëz të pashpirtë, të cilët u forcuan brenda.
35
Grumbulluan armë e ushqime e, si e plaçkitën Jerusalemin, prenë e venduan aty dhe u bënë një kurth i
madh.
36
U bë pritë për Shenjtëroren,
kundërshtar i keq i përhershëm i Izraelit.
37
Përreth Shenjtërores gjak të pafajshëm derdhën
dhe e dhunuan Vendin e shenjtë.
38
Nga dhuna e tyre jerusalemasit ikën,
qyteti u bë vendbanim i të huajve,
u bë i huaj për njerëzit e vet,
bijtë e tij e lanë e shkuan!
39
Shenjtërorja e tij e shkretë mbeti si shkretëtira,
të kremtet e tija u kthyen në vajtime,
të shtunat e tija në poshtërsi,
nderi i tij në çnderim u kthye.
40
Sa më të madh që e pat nderin,
aq më fort iu shtua çnderimi,
madhëria e tij u kthye në zi!
Vendohen kultet pagane
41
Atëherë mbreti Antiok shkroi një shpallje për mbarë mbretërinë që të gjithë të trajtonin një popull të
vetëm 42 e t’i lënë doket e veta. Të gjitha kombet e pranuan urdhrin e mbretit Antiok. 43 Shumë edhe prej
izraelitëve pranuan hyjnderimin e tij, u flijuan idhujve dhe e prishën të shtunën. 44 Mbreti dërgoi në
Jerusalem e në qytetet e Judesë me anë të të dërguarve të vet letra që t’u përshtaten dokeve të paganëve
vendës, 45 të mos kushtojnë fli shkrumbimi, therore, fli kushti në Tempullin e Hyjit, të mos kremtohen më
të shtunat e të kremtet, 46 të dhunohet Shenjtërorja e gjithçka është e shenjtë, 47 të ndërtohen lterë, tempuj
e idhuj, të flijohen thi e kafshë të papastërta, 48 t’i lënë fëmijët pa rrethprerë, të bëhen të papastër me çdo
lloj papastërtie e irie, 49 kështu që ta harrojnë Ligjin e t’i ndërrojnë të gjitha doket e shenjtërimit. 50 Kush
të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje. 51 Lidhur me të gjitha këta urdhra mbreti i
shkroi mbarë mbretërisë së vet, caktoi mbikëqyrës mbi mbarë popullin dhe u urdhëroi qyteteve të Judës të
flijojnë në çdo qytet. 52 Qe shumicë nga populli që u bashkuan me ta, me të gjithë ata që e tradhtuan Ligjin
e bënë të këqija të mëdha në vend. 53 E shtrënguan Izraelin të fshihet në çdo vend të fshehtë.
54
Më pesëmbëdhjetë të muajit Kasleu të njëqindedyzetepestin vit, mbreti e ndërtoi Irinë e shkretimit mbi
lterin e flive të shkrumbimit dhe në qytete të Judës përrreth lterë, 55 para dyrve të shtëpive në sheshe, digjnin
kem. 56 Librat e Ligjit që i gjetën, pasi i shqyenin, i digjnin në zjarr.
57
Nëse te ndokush gjendej ndonjë libër i besëlidhjes ose që e pranonte Ligjin, vritej me urdhrin e mbretit.
58
Pasi fuqinë e kishin në dorë, bënin kështu kundër Izraelit, kundër atyre që i zbulonin muaj për muaj në
qytete. 59 Më njëzet e pesë të muajit flijonin mbi lterin që e kishin ndërtuar mbi lterin e flive të shkrumbimit.
60
Gratë që i kishin rrethprerë fëmijët e vet, i vritnin në bazë të shpalljes - 61 ua varnin fëmijët për qafe - i
vritnin edhe anëtarët e familjes së tyre si dhe ata që i kishin rrethprerë.
62
Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të
papastërta: 63 më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastërta e ta prishin Besëlidhjen e
shenjtë: bënin vdekjen! 64 Vërtet një felgrim tejet i madh bënte kërdi mbi Izraelin!
II. MATATIA NIS LUFTËN E SHENJTË
Matatia e të bijtë
Kap. 2
1
Ndër ato ditë Matatia, biri i Gjonit, biri i Simonit, prift nga të bijtë e Joaribit, e la Jerusalemin e nguli në
Modin. 2 Kishte pesë djem: Gjonin, të quajtur Gadi, 3 Simonin, të quajtur Tasi, 4 Judën, të quajtur Makabé,
5
Eleazarin, të quajtur Abaron, edhe Jonatanin, të quajtur Afus.
6
Duke parë hyjshmitë që bëheshin në Jude e në Jerusalem, Matatia 7 tha:
“I mjeri unë! Vallë, a linda për ta parë rrënimin e popullit tim e rrënimin e Qytetit të shenjtë? Rrinin aty
me duar në ijë, ndërsa jepej ndër duart e armiqve edhe Shenjtërorja në duar të të huajve!
8
Tempulli i tij u bë si njeriu i pander,
9
enët - nderi i tij, u rrëmbyen si pre,
foshnjat e tija u prenë në fyt në sheshet e tija,
djelmoshat e tij i preu shpata e amrikut!
10
Cilit popull s’i kaloi në trashëgim
mbretëria e tij,
e s’ia mori plaçkat e tija?
11
U mor gjithë stolia e tij.
Ishte i lirë e u bë skllav!
12
Ja, vendi ynë i shenjtë
- bukuria jonë, nderi ynë u shkretuan,
i përdhosën paganët!
13
E ç’na duhet më të jetojmë?”
14
Matatia e bijtë e tij i shqyen petkat e veta, veshën grathoret e bënë vaj të madh.
Prova e flijimit në Modin
15
Ndërkaq oficerët e mbretit, të caktuar për ta bërë popullin të bjerë nga besimi, erdhën në Modin për të
flijuar. 16 Shumë prej izraelitëve shkuan me ta, kurse Matatia e bijtë e tij ndenjën mbanë. 17 Të dërguarit e
mbretit morën fjalën e i thanë Matatisë: “Ti je njeri me autoritet, bujar dhe i madh në këtë qytet, të përkrahin
djemtë e vëllazëria. 18 Tash, afrohu i pari dhe kryeje urdhrin e mbretit, siç bënë popujt e tjerë, të gjithë
madje edhe njerëzit e Judesë që nuk e lënë Jerusalemin e do të bëhesh ti e bijtë e tu miqtë e mbretit, e do
të keni për shpërblim argjend e ar e dhurata të shumta.” 19 Matatia mori fjalën e foli me zë të lartë: “Edhe
në qoftëse të gjitha kombet, që i përkasin perandorisë së mbretit, e dëgjojnë mbretin, duke e lënë secili
hyjnderimin e etërve të vet dhe i pranojnë urdhërimet e mbretit, 20 unë, bijtë e mi e vëllezërit e mi do të
jetojmë sipas Besëlidhjes së etërve tanë. 21 Mos e thëntë Zoti ta lëmë Ligjin e urdhërimet! 22 Prandaj, s’do
t’i dëgjojmë urdhrat e mbretit t’i shmangemi besimit tonë as djathtas as majtas.”
23
Posa i kreu këto fjalë, një judeas u çua, ndër sy të të gjithëve, nisi të flijojë në lterin në Modin sipas
urdhrit të mbretit. 24 Kur e pa Matatia, zelli i mori flakë, i gufoi zemra nga felgrimi i drejtë, u sul dhe e
theri judeun mbi lter. 25 Po aty për aty e vrau edhe të dërguarin e mbretit që i shtrëngonte të flijojnë dhe e
rrafshoi lterin. 26 Zelli i tij për Ligjin qe si zelli i Fineesit kundër Zamriut, birit të Salomit. 27 Atëherë
Matatia nisi të bërtasë me sa zë kishte nëpër qytet: “Secili që ka zell për Ligjin e dëshiron ta mbrojë
Besëlidhjen, le të vijë pas meje!” 28 Atëherë iku në male ai e bijtë e tij duke lënë gjithçka kishin në qytet.
Prova e së shtunës në shkretëtirë
29
Atëherë shumë njerëz, që e kishin për zemër drejtësinë e të drejtën, shkuan për të jetuar në shkretëtirë.
30
Ata, bijtë e tyre, me gra e me bagëti të tyre, i kishin rënduar shumë të vështira.
31
U lajmëruan njerëzve të mbretit dhe ushtrisë që ishte në Jerusalem, në Qytetin e Davidit, se disa njerëz,
që s’e kishin dëgjuar urdhrin e mbretit, kishin zbritur në vende të fshehta nëpër shkretëtirë. 32 Shkuan
shumë për t’i ndjekur, i zunë, ngulën fushimin përballë tyre dhe u bënë gati për t’i sulmuar ditën e shtunë.
33
U çuan fjalë: “Mjaft më! Dilni e bëni sipas urdhrit të mbretit e do t’ju falet jeta!” 34 Ata përgjigjën: “S’do
të dalim as s’do ta zbatojmë urdhrin e mbretit për ta dhunuar ditën e shtunë.” 35 Ata u sulën kundër tyre. 36
Por, këta nuk kundërshtuan, s’qitën asnjë gurë as kundër tyre as s’i mbrojtën vendet e veta të fshehta. 37
Vendosën: “Le të vdesim të gjithë në pafajësinë tonë! Qielli e toka janë dëshmitarë për ne se po na vritni
padrejtësisht!”
38
Ata u lëshuan në luftë kundër tyne ditën e shtunë: mbetën të vrarë ata, gratë e tyre, fëmijët e tyre dhe
bagëtitë e tyre, përafërsisht një mijë njerëz.
Veprimtaria e Matatisë dhe e partisë së tij
39
Matatia e miqtë e tij e morën vesh, u bënë vaj të madh 40 e i thanë njëri-tjetrit: “Nëse të gjithë bëjmë si
bënë vëllezërit tanë e nëse nuk do të luftojmë kundër paganëve për jetën tonë e për ligjet tona, s’do të
vonojnë të na zhdukin nga toka”. 41 Po atë ditë morën këtë vendim: “Çdo njeri që do të vijë ditën e shtunë
të luftojë kundër nesh, do të lufotjmë kundër tij e s’do të vdesim të gjithë si vdiqën vëllezërit tanë në
strehimore.”
42
Atëherë u bashkua me ta grupi i asidenjve, trima të spikatur nga Izraeli, të gjithë njerëz të dhënë për
Ligjin.
43
Gjithashtu edhe ata që iknin për shkak të përndjekjeve u bashkuan me ta e u bënë ndihmë atyre. 44 Kështu
formuan një ushtri dhe i goditnin fajtorët me hidhërim dhe njerëzit e këqij me felgrim; një pjesë tjetër iku
për të gjetur shpëtim ndër kombe. 45 Matatia e shokët e tij përshkuan vendin e rrënuan lterët 46 dhe i
rrethprenë përdhunë fëmijët e të gjithë që i gjetën që nuk ishin rrethprerë, brenda kufijve të Izraelit. 47 I
përndoqën krenarët e ndërmarrja e tyre përparoi në dorën e tyre. 48 E mbrojtën Ligjin nga dora e paganëve
e nga pushteti i mbretit dhe nuk e lanë të çojë krye mëkatari.
Testamenti dhe vdekja e Matatisë
49
Ndërkaq Matatisë po i afrohej dita e vdekjes dhe ai u tha të bijve: “Ja, tash e mori në dorë sundimin
krenia e poshtërsia, erdhi koha e shkatërrimit dhe e felgrimit të përmnershëm. 50 Juve, tash, o bij, u përket
të keni zell për Ligjin. Jepeni jetën tuaj për Besëlidhjen e etërve tuaj.
51
Kujtoni veprat që i kryen etërit në kohën e tyre e do të fitoni nder të madh e emër të përhershëm.
52
Vallë, a nuk u dëftua Abrahami besnik në provë
dhe kjo iu çmua drejtësi?
53
Jozefi në kohën e ngushticës së vet e mbajti Ligjin
dhe u bë zotëria i Egjiptit.
54
Fineesi, ati ynë, pse dëftoi zell të madh,
fitoi besëlidhjen e priftërisë së
pambarueshme.
55
Jezusi pse e çoi në vend urdhrin,
u bë gjyqtar në Izrael.
56
Kalebi pse e dëshmoi të vërtetën në
mbledhje,
fitoi trashëgimin.
57
Davidi, në saje të mëshirës së vet,
fitoi fronin e mbretërisë së pambarueshme.
58
Elia pse digjej nga zelli i Ligjit,
u pranua në qiell.
59
Anania, Azaria e Misaeli, pse patën besim të fortë,
qenë shpëtuar nga flaka.
60
Danieli, në saje të pafajësisë së vet,
qe shpëtuar nga goja e luanëve.
61
Kështu kujtoni nga breznia në brezni,
se të gjithë ata që shpresojnë në të,
kurrë nuk do të mbarojnë keq.
62
Mos kini frikë prej fjalëve të mëkatarit,
sepse nderi i tij mbaron në pleh e ndër krimba:
63
sot lartësohet e nesër s’mund të gjendet,
sepse kthehet në pluhur nga edhe erdhi
e marrin fund synimet e tija.
64
Jini të fortë, bijtë e mi, e burrërisht mbajeni Ligjin,
sepse në të do të jeni të lavdishëm.
65
Ja, Simoni, vëllai juaj! E di se është njeri i mençur: dëgjojeni gjithmonë: ai do të jetë ati juaj. 66 Juda
Makabe, trim i zgjedhur që prej rinisë së vet, le t’ju jetë prijësi i ushtrisë, ai do ta udhëheqë luftën e popullit.
67
Mblidhni rreth jush të gjithë ata që e zbatojnë Ligjin dhe ahmerruni për popullin tuaj. 68 Kthejuni
ndëshkimin e duhur paganëve e zbatoni rregulloret e Ligjit.”
69
Atëherë i bekoi e u bashkua me etërit e vet. 70 Vdiq në vitin njëqind e dyzet e gjashtë. Qe varrosur në
varret e etërve të vet në Modin. Mbarë Izraeli i bëri gjëmë të madhe.
III. JUDA MAKABE KRYETARI I JUDENJVE /166 - 160. PARA Kr./
Lavdërim Judës Makabe
Kap. 3
1
Në vend të tij u vu i biri, Juda që quhet Makabé. 2 I ndihmonin të gjithë vëllezërit e tij si edhe të gjithë
ata që i ishin mbështetur babës së tij. Me gëzim luftonin luftën e Izraelit.
3
Zërin e mirë ia hapi popullit të vet,
si vigan në pancir u vesh,
armët e luftës në ijë i ngjeshi
e në luftime të ashpra ra
duke mbrojtur me shpatë fushimin!
4
Në luftëra qe porsi luani,
zog luani kur në gjoje ulëron!
5
I ndoqi të këqijtë duke i gjurmuar,
i dogj përndjekësit e popullit të vet.
6
Prej frikës së tij u strukën të mbrapshtët,
të turpëruar bakëqijtë mbetën,
përparoi në dorë të tij shpëtimi!
7
Shumë mbretërve u shkaktoi kokëçarje
e Jakobin me vepra e kënaqte;
për jetë të jetës do të jetë
i bekuar kujtimi i tij.
8
I përshkoi qytetet e Judës,
i shpërndau të patenzonët prej tij
e ia hoq Izraelit hidhërimin.
9
I shkoi zëri deri në skajet të tokës,
i bashkoi ata që kishin tretur.
Arritjet e para të Judës
10
Apoloni bashkoi disa paganë dhe një ushtri të madhe nga Samaria për të luftuar kundër Izraelit. 11 E mori
vesh Juda dhe i doli para ta ndeshë. E mundi dhe e vrau. Shumë mbetën të plagosur për vdekje e të tjerët
morën ikjen. 12 Morën pre prej tyre. Juda e mori shpatën e Apolonit. E përdoroi në luftë gjatë gjithë jetës
së vet.
13
Kur Seroni, komandanti i ushtrisë së Sirisë, mori vesh se Juda kishte bashkuar rreth vetes njerëz
besimtarë e të gatshëm për luftë, 14 tha: “Do t’i qes zërin vetes e do të nderohem me lavdi në mbretëri. Do
ta mundi Judën dhe ata që janë me të, dhe e përbuzin urdhrin e mbretit.” 15 U nis, pra, ai e me të një ushtri
shumë e fortë të patenzonësh si ndihmë e tij për t’iu ahmarrë izraelitëve. 16 U afrua deri në tatpjetën e
Betoronit e Juda i doli para me pak njerëz. 17 Kur e panë ushtrinë, duke u afruar përballë tyre, njerëzit i
thanë Judës: “Si do të mundemi ne kaq pak të luftojmë kundër një ushtrie kaq të madhe? Për më tepër jemi
të këputur se sot s’kemi ngrënë asgjë!” 18 Juda u përgjigji: “Është punë e lehtë që shumica të bjerë në duar
të pakicës. S’ka dallim për Qiellin të shpëtojë me anë të shumicës ose të pakicës, 19 sepse fitorja në luftë
nuk varet nga ushtria e madhe, por fuqia që vjen nga Qielli. 20 Këta vijnë kundër nesh plot kreni e bakeqësi
për të na zhbirë ne, gratë tona e bijtë tanë e për të na plaçkitur, 21 kurse ne luftojmë për të shpëtuar jetën e
ligjet tona. 22 Vetë Zoti do t’i asgjësojë para syve tanë! Mos ua kini aspak frikën!”
23
Si foli kështu, u sul papritmas kundër tyre. Para Judës u shpartallua Seroni e ushtria e tij. 24 I ndoqi shpatit
të Betoronit deri në fushë. Prej tyre mbetën të vrarë tetëqind burra, kurse të tjerët ikën në krahinën e
filistenjve.
25
Kështu zuri të përhapet frika e Judës dhe e vëllezërve të tij dhe paganët përreth i pushtoi tmerri. 26 Zëri i
tij arriti deri te mbreti e të gjithë popujt flisnin për luftërat e Judës.
Përgatitjet e Antiokut kundër Persisë e Judës. Lizja qeveritar
27
Kur Antioku i dëgjoi këto fjalë, u zemërua në shpirt. Dha urdhër dhe e bashkoi ushtrinë e mbarë
mbretërisë së vet, ushtri veç ashtu të fortë. 28 E hapi vishtarin e vet dhe e pagoi ushtrinë për një vjet dhe
urdhëroi të jetë gati për çdo rast.
29
E hetoi se po mungonin paratë në vishtarët e tij, sepse të marrat e krahinës ishin të vogla për shkak të
dasive e të rrënimeve që kishte sjellë në vend shi pse kishte dashur t’i çrrënjosë doket që ishin në fuqi qysh
nga kohët e lashta. 30 U tremb se s’do të ketë me çka t’i mbulojë shpenzimet e të ndante dhurata, si ia kishte
dalë të bëjë më se një herë më përpara pa e rrudhur dorën duke ua kaluar në këtë gjë mbretërve,
paraardhësve të tij. 31 Në një ngushticë të tillë shpirtërore, vendosi të shkojë në Persi për të bashkuar tatimet
e krahinave e për të grumbulluar sa më shumë para.
32
E la Lizjen, njeri bujar nga shtëpia mbretërore, t’i kryeushtrojë punët e shtetit nga lumi Eufrat deri në
kufijtë e Egjiptit 33 e ia la në kujdes Antiokun, të birin, deri që të kthehej. 34 Ia la edhe gjysmën e ushtrisë
me elefantë, i dha urdhrat lidhur me gjithçka kishte synuar sidomos që kishte të bëjë me banorët e Judesë
e të Jerusalemit: 35 i urdhëroi të çonte kundër tyre ushtri për ta zhdukur e çrrënjosur fuqinë e Izraelit e
Tepricat e Jerusalemit, ta zhdukte kujtimin e tyre nga vendi, 36 ta banojë mbarë vendin me njerëz të huaj
dhe tokën t’ua ndajë me short.
37
Mbreti mandej mori gjysmën tjetër të ushtrisë dhe e lëshoi Antiokinë, kryeqytetin e mbretërisë së vet,
në vjetin njëqind e dyzet e shtatë; kaloi lumin Eufrat e vazhdoi të përshkojë krahinat e larta.
Gorgia e Nikanori i prijnë ushtrisë siriane në Jude
38
Atëherë Lizja zgjodhi Ptolemeun, birin e Dorimenit, edhe Nikanorin e Gorginë, trima të zgjedhur për
guxim ndër miqtë e mbretit 39 dhe i nisi me ta dyzet mijë njerëz e shtatë mijë kalorës në Jude për ta shkretuar
sipas urdhrit të mbretit.
40
Këta u nisën me mbarë ushtrinë, arritën afër Emausit dhe aty në rrafshinë ngulën fushimin. 41 Tregtarët
e krahinës morën vesh për këtë gjë, morën argjend e ar me shumicë të madhe edhe vargje dhe erdhën në
fushim të ushtrisë për t’i blerë si skllevër bijtë e Izraelit. Kësaj ushtrie iu shtua edhe ushtria e Sirisë dhe e
vendeve të tjera.
42
Juda e vëllezërit e tij panë se ishin shumuar të këqijat, se ushtria nguli fushimin në vendin e tyre, dëgjuan
edhe për urdhrin e mbretit që e kishte dhënë të zhbihet populli e të shfaroset. 43 Atëherë i thanë njëri-tjetrit:
“Ta ngritin nga rrënimi popullin tonë, të luftojmë për popullin tonë e për tokat tona të shenjta!” 44 Bashkuan
kuvendin për t’u përgatitur për luftim, për t’u lutur e për të kërkuar hir dhe mëshirë.
45
Pa banorë shkretë mbeti Ruzalemi,
prej bijsh të tij kush s’hynte as s’dilte.
Shenjtërorja me këmbë shqelmohej
Bijtë e huaj në Fortesë qëndronin,
për paganët erdhi e u bë han!
Për Jakobin meni gëzimi,
shuajti fyelli e citara!
Bashkimi i çifutëve në Masfë
46
Izraelitët u bashkuan në Masfë, përballë Jerusalemit, sepse në Masfë më përpara e ka pasur Izraeli vendin
e uratës.
47
Atë ditë agjëruan, u veshën me grathore, kresë i qitën hi, i shqyen petkat e veta, 48 hapën Librin e Ligjit
për të kërkuar në të çka kërkojnë paganët prej idhujve. 49 I sollën petkat priftërore, frutat e para e të dhjetat,
i qitën përpara nazarenjtë që i kishim kryer ditët e kushtimit 50 dhe klithën me zë të lartë drejt Qiellit:
“Çfarë do të bëjmë me këta e ku do t’i çojmë, 51 pasi Shenjtërorja jote është e shqelmuar dhe e përdhosur
e priftërinjtë e tu janë në zi e të përvujtëruar? 52 Paganët janë bushkuar e erdhën për të na zhdukur: e di
mirë se çka na mendojnë! 53 Si do të mund t’u bëjmë ballë nëse ti nuk do të na vijsh në ndihmë?” 54 U ranë
borive e bërtitën me zë të lartë. 55 Pas këtyre Juda caktoi prijësit e popullit: prijësit e një mijëve, të qindëve,
të pesëdhjetëve e të dhjetëve 56 e u tha atyre që po ndërtonin shtëpitë, që po martoheshin, që po mbëltisnin
vreshta e frikacakëve të kthehej secili në shtëpinë e vet sikurse urdhëron Ligji. 57 E çuan fushimin e shkuan
e ngulën në jug të Emausit. 58 Atëherë Juda u tha: “Ngjeshuni e jini burra të fortë! Jini të gatshëm për nesër
në agim të luftoni kundër këtyre kombeve që u bashkuan për të luftuar kundër nesh e për të na zhbirë ne
dhe vendet tona të shenjta! 59 Është më mirë për ne të vdesim në luftë se ta shikojmë të keqen e popullit
tonë e të vendit tonë të shenjtë. 60 Do të ndodhë ashtu si e ka vendosur Qielli!”
Lufta e Emausit
Kap. 4
1
Gorgia mori me vete pesë mijë këmbësorë e një mijë kalorës të spikatur dhe e çoi llogorin natën 2 me
qëllim që ta befasojë fushimin e judenjve e t’i godasë papritmas. Udhën i tregonin njerëzit që banonin në
Qytezë. 3 Por, edhe Juda ia doli ta marrë vesh këtë gjë, u çua edhe ai me trimat e vet të zgjedhur e shkuan
për ta goditur ushtrinë e mbretit që ishte në Emaus, 4 ndërkohë që ushtria ishte ende e shpërndarë jashtë
llogorit. 5 Natën Gorgia arriti në fushimin e Judës, por s’gjeti askënd. Shkoi atëherë t’i kërkojë në male,
sepse i thoshte mendja: “Këta po ikin prej nesh!” 6 Posa agoi drita Juda u duk në fushë me tri mijë njerëz.
Por këta nuk kishin armë e shpata si kishin dëshiruar. 7 E panë fushimin e paganëve të fuqishëm e të
fortifikuar, kalorësinë përreth tyre, njerëz të stërvitur mirë për luftë. 8 Atëherë Juda u tha njerëzve që kishte
me vete: “Mos u trembni nga numri i tyre i madh as mos kini frikë nga sulmet e tyre! 9 Le t’ju bjerë në
mend se si shpëtuan etërit tanë në Detin e Kuq, kur i ndoqi faraoni me ushtri. 10 Le ta thërrasim në ndihmë
Qiellin që të ketë dhimbë për ne, t’i bjerë ndër mend Besëlidhja e etërve tanë e para syve tanë ta shtypë sot
këtë ushtri. 11 Le ta dinë të gjitha kombet se është Ai që e shpëton edhe e libron Izraelin!”
12
Të huajt i ngritën sytë dhe i panë këta duke ardhur kundër tyre, 13 dolën nga llogori për t’u kacafytur.
Ata që ishin me Judën i ranë borisë. 14 Krisi lufta! U thyen paganët dhe morën të ikin fushës. 15 Të sprasmit
ranë të gjithë nga shpata. I ndoqën deri në Gazeron, deri në fusha të Idumesë e të Azotit e të Jamnisë: prej
paganëve mbetën të vrarë rreth tri mijë vetë. 16 Atëherë u kthye nga ndjekja e tyre Juda me ushtrinë e vet,
17
e i tha popullit: “Mos t’ju habisë dëshira e presë, sepse e kemi kundër nesh edhe një luftim: 18 Gorgia
me ushtirnë e vet është këtu afër nesh në mal, tash njëherë qëndroni kundër armiqve tanë, luftoni ata e
pastaj bashkoni në qetësi prenë!” 19 Ndërsa Juda ende po fliste kështu, kur qe, një njësi që po vezhgonte
nga kreshta e malit. 20 Pa se të vetët kishin marrë ikjen e se të tjerët i kishin dhënë zjarr fushimit: sepse
tymi që shihej tregonte se ç’kishte ndodhur. 21 Kur i panë këto, i pushtoi frikë e madhe, e, kur e panë
ushtirnë e Judës në fushim të gatshëm për luftë, 22 ikën të gjithë në dheun e të huajve. 23 Juda atëherë u
kthye në fushim për të mbledhur prenë. Morën shumë ar, argjend, pëlhura ngjyrë vjollcë e të kuqe
bojëgjake e pasuri të tjera të mëdha. 24 Në kthim këndonin e i lartësonin këngë Qiellit dhe e bekonin: “Ai
është i mirë dhe e amshueshme është dashuria e tij!” 25 Ishte ajo ditë ditë fitoreje e madhe për Izraelin!
26
Të gjithë ata, prej të huajve, që kishin shpëtuar, shkuan te Lizja dhe i treguan krejt ç’kishte ndodhur. 27
Kur ky i dëgjoi, u trazua dhe u prish në zemër, pse s’kishte ecur puna ashtu si kishte dashur në Izrael dhe
pse shkoi huq urdhri që i kishte dhënë mbreti.
Fushata e parë e Lizjes
28
Prandaj, një vit pas bashkoi gjashtëdhjetë mijë ushtarë të zgjedhur dhe pesë mijë kalorës për të luftuar
kundër Izraelit. 29 Erdhën në Idume dhe e ngulën fushimin në Betsurë. Juda doli kundër tyre me dhjetë
mijë ushtarë. 30 E pa ushtrinë e madhe e u lut kështu: “I bekuar je ti, o Shpëtues i Izraelit, që e theve sulmin
e luftëtarit të fuqishëm me dorën e shërbëtorit tënd Davidit dhe ia dorëzove llogoret e të huajve Jonatës,
birit të Saulit, e armbajtësit të tij. 31 Dorëzoja edhe këtë ushtri popullit tënd Izraelit! Bëj të bjerë çnderimi
mbi ushtrinë e tij e mbi kalorësit e tij! 32 Shtiju frikën e shuaje guximin e fuqisë që kanë e le të plandosen
në rrënimin e tyre! 33 Rrafshoj me shpatën e të gjithë atyre që të duan, të gjithë atyre që me këngë të
lavdërojnë dhe të të gjithë atyre që ta njohin emrin!”
34
E krisi lufta e njërit kundër tjetrit. Prej ushtrisë së Lizjes u vranë pesë mijë ushtarë e ranë para përballë
judenjve. 35 Kur e pa shpartallimin e ushtrisë së vet e guximin e judenjve si ishin të gatshëm o të jetojnë
ose të vdesin trimërisht, Lizja iku në Antioki. Atje bashkoi ushtarë me pagesë që me një shumicë më të
madhe ta sulmonte përsëri Judenë.
Pastrimi dhe kushtimi i Tempullit
36
Atëherë Juda dhe vëllezërit e tij thanë: “Ja, i shpartalluam armiqtë tanë: ejani ta pastrojmë Shenjtëroren
e ta shugurojmë!” 37 U bashkua mbarë ushtria dhe u ngjitën në malin Sion. 38 Gjetën shenjtëroren e
shkretuar, lterin e dhunuar, dyert e djegura, në treme ishte rritur shkorreti si në pyll ose në ndonjë mal e
dhomat e shenjta të rrënuara. 39 I shqyen petkat e veta, zunë të bëjnë gjëmë të madhe, i qitën kresë hi,
40
ranë me fytyrë për dhe e, në shenjë të borisë, klithën drejt Qiellit.
41
Atëherë Juda u urdhëroi disa njerëzve t’i luftojnë ata që ishin në Qytezë derisa ai ta pastronte
Shenjtëroren.
42
Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e që e zbatonin Ligjin. 43 Këta e pastruan Shenjtëroren e gurët e
dhunuar i çuan në vend të papastërt. 44 Pastaj bënë këshillim përkitazi me lterin e flive të shkrumbimit që
kishte qenë dhunuar, çfarë të bënin me të. 45 Urtisht vendosën ta rrënojnë që kurrë të mos u jetë për turp,
sepse paganët e kishin dhunuar. E rrënuan lterin. 46 Gurët i vunë në një vend të përshtatshëm në Malin e
Shtëpisë së Zotit derisa të mos vijë ndonjë profet e të vendosë për ta. 47 Atëherë morën gurë të palatuar, siç
kërkon Ligji, dhe ndërtuan një lter të ri krejt si ai që kishte qenë më parë. 48 E ndreqën Shenjtëroren edhe
Banesën përbrenda dhe i shuguruan tremet. 49 I punuan enët e shenjta të reja dhe i shtinë në Tempull
shandanin, lterin e kemimit dhe tryezën. 50 Dogjën kem mbi lter e i ndezën dritat në shandan që e ndriçonin
Tempullin. 51 Mbi tryezë vunë bukët, i vunë kultrinat dhe i kryen të gjitha përmirësimet që kishin
ndërmarrë.
52
Më njëzet e pesë të nëntit muaj - që është muaji Kasleu - të vitit njëqindedyzetetetë, u ngritën heret në
agim 53 dhe e kushtuan flinë ashtu si e kërkon Ligji mbi lterin e ri të shkrumbimit që e kishin punuar:
54
po në atë kohë e në atë ditë, në të cilën e kishin dhunuar paganët, e rishuguruan me këngë të përcjella
me citarë, me cetër e me cimbale. 55 Mbarë populli ra me fytyrë për dhe, adhuruan dhe e bekuan Atë që
është në qiell, që aq fatbardhësisht u kishte prirë. 56 Kremtuan shugurimin e lterit tetë ditë, kushtuan fli
shkrumbimi me gëzim e kushtuan fli kungimi e falënderimi 57 dhe e stolisën ballanikun e Tempullit me
keza të arta e me shqyta. I shuguruan dyert dhe dhomat e shenjta e u vunë dyert. 58 Një gëzim i madh e
pushtoi mbarë popullin dhe u shlye turpi i sjellë prej paganëve.
59
Juda me vëllezërit e vet e me mbarë bashkësinë e Izraelit, caktuan që të festohen me gëzim e hare ditët
e shugurimit të lterit në kohën e tyre, vit për vit, për tetë ditë, qysh më njëzet e pesë të muajit Kasleu. 60 Në
këtë kohë rreth malit Sion ndërtuan mure të larta e pirgje të forta që, nëse vijnë paganët, të mos e
shqelmojnë, siç bënë më parë. 61 Juda aty vendosi një numër ushtarësh për ta mbrojtur. Fortifikoi edhe
Betsurën për ta mbrojtur, që populli të kishte fortesë përballë Idumesë.
Fushatë kundër Idumesë e Amonit
Kap. 5
1
Kur paganët përreth morën vesh se kishte qenë rindërtuar lteri dhe se kishte qenë rikushtuar Shenjtërorja
si më parë, u zemëruan për së tepërmi 2 dhe vendosen t’i zhdukin ata që ishin të rodit të Jakobit në mesin
e tyre: filluan t’i vrasin e t’i përndjekin ata që i përkisnin atij populli.
3
Atëherë Juda u shpalli luftë bijve të Ezaut në Idume, në Akribatane, sepse i kishin shtërnguar në rrethim
izraelitët. I rroposi krejtësisht, i mposhti dhe mori pre të madhe. 4 I ranë ndër mend edhe të këqijat e bijve
të Beanit që i kishin vënë leq e pusi popullit duke u vënë prita gjatë udhës. 5 Të shtrënguar prej tij, u
mbyllën në kulla. Ai i rrethoi, i dorëzoi mallkimit dhe me zjarr i dogji kullat me të gjithë ata që ishin
brenda. 6 Pastaj vazhdoi kundër bijve të Amonit. Në ta hasi në ushtri të fortë e në shumicë të madhe të
popullit nën kryesinë e Timoteut. 7 Ndërmori kundër tyre sulme të shumta, i mposhti dhe i asgjësoi. 8 E
pushtoi Jazerin me fshatrat që i përkisnin dhe u kthye në Jude.
Përgatitjet për fushata në Galile e në Galaad
9
Kombet që ishin në Galaad u bashkuan kundër izraelitëve që banonin në territorin e tyre për t’ua tretur
farën. Këta u ndrynë në fortesën Dateman 10 dhe i shkruan Judës e vëllezërve të tij këtë letër:
“Paganët që janë rreth nesh janë bashkuar kundër nesh për të na zhdukur. 11 Po përgatiten ta pushtojnë
fortesën në të cilën jemi ngujuar. Timoteu është prijësi i ushtrisë së tyre. 12 Deh, eja sa më parë e na shpëto
prej kthetrave të tyre, sepse edhe deri tash shumë prej të tanëve u vranë.
13
Të gjithë vëllezërit tanë,që jetonin në vendet e Tobijajve, u vranë, gratë e fëmijët ua morën në skllavëri,
ua morën pasurinë dhe i vranë atje rreth një mijë burra.”
14
Ende po lexohej letra kur, qe, ia behën lajmëtarë të tjerë nga Galileja me petka të shqyera e sollën lajme
këso dore. 15 Thanë se ishin bashkuar kundër tyre banorët e Ptolemaidës, të Tirit e të Sidonit si dhe mbarë
pjesa pagane e Galilesë për t’i asgjësuar. 16 Kur Juda e mbarë populli i dëgjoi këto lajme, thirrën kuvendin
e dheut për të vendosur çfarë duhet të bëjnë për vëllezërit e vet që gjendeshin në vështërsi dhe po
sulmoheshin prej paganëve.
17
Atëherë Juda i tha Simonit, të vëllait: “Zgjidhi disa njerëz e shko t’i shpëtosh vëllezërit e tu në Galile,
kurse unë dhe im vëlla Jonata po shkojmë në krahinën Galaad.” 18 Për ta ruajtur Judenë la Jozefin, birin e
Zakarisë, dhe Azarinë prijësin e popullit, me pjesën e ushtrisë që teproi. 19 U urdhëroi kështu: “Qëndroni
në krye të këtij populli, por mos nisni luftë me paganë deri sa të kthehemi ne.” 20 Simonit i dhanë tri mijë
luftëtarë për të shkuar në Galile, kurse Judës i dhanë tëtë mijë për të shkuar në krahinën e Galaadit.
Fushata në Galile e në Galaad
21
Simoni shkoi në Galile e luftoi shumë me paganë. Paganët u thyen para tij 22 e i ndoqi deri në derën e
Ptolemaidës. Prej paganëve mbetën të vrarë rreth tri mijë vetë të cilëve Simoni ua mblodhi plaçkat. 23
Mandej i mori me vete izraelitët që ishin në Galile e në Arbatë me gra, fëmijë e me gjithçka kishin e i solli
në Jude me gëzim të madh.
24
Ndërkaq edhe Juda Makabe e Jonata, i vëllai, kaluan Jordanin dhe ecën tri ditë nëpër shkretëtirë. 25 I
takuan nabatenjtë, që u dolën para miqësisht dhe u treguan gjithçka u kishte ndodhur vëllezërve të tyre në
Galaaditidë: 26 e se shumë prej tyre ishin të rrethuar në Bosorë e në Bosor, në Alimaj, në Kasfo,në Maced
e në Karnain e se këto qytete ishin të gjitha të fortifikuara e të mëdha; 27 se ishin edhe në të tjera qytete të
Galaaditidës të rrethuar e se kishin vendosur t’i sulmojnë nesër qytezat e t’i pushtojnë e t’i marrin në një
ditë të gjithë ata që të gjenden në to.
28
Juda me ushtri e dredhoi menjëherë rrugën nëpër shkretëtirë në drejtim të Bosorës. E pushtoi qytetin, me
teh të shpatës preu çdo mashkull, u rëmbeu gjithçka kishin e qytetit i dha zjarr. 29 Natën u nis prej andej e
iu afrua qytezës.
30
Heret në agim çuan sytë e panë një mori të panumërt njerëzish, që kishin kapur shkallë e makina lufte
për ta pushtuar kalanë. Lufta kishte filluar kundër tyre! 31 Kur pa Juda se po fillon lufta: klithma e qytetit
e përzier me ushtimë borie e me zhurmë të madhe arriti në qiell, 32 u tha njerëzve të ushtrisë së vet: “Luftoni
sot për vëllezërit tanë!”
33
I vendosi në tre rreshta pas tyre. Jehuan boritë e ushtoi britma në uratë. 34 Fushimi i Timoteut e mori
vesh se ishte Juda Makabe, u dha ikja para tij. Juda i goditi e bëri në ta kërdi të madhe: atë ditë mbetën të
vrarë prej tyre rreth tetë mijë vetë. 35 Atëherë Juda iu soll rreth Masfës, e sulmoi dhe e pushtoi. Vrau çdo
mashkull të saj, e plaçkiti dhe i shtiu zjarrin. 36 Prej andej u drejtua dhe e pushtoi Kasfon, Macedin, Bosorin
e qytetet e tjera të Galaaditidës.
37
Pas këtyre ngjarjeve Timoteu bashkoi një ushtri tjetër dhe e nguli fushimin kundrejt Rafonit, përtej lumit.
38
Juda dërgoi njerëz ta vëzhgojnë ushtrinë. Ata u kthyen e i thanë: “Janë bashkuar rreth tij të gjithë paganët
që janë rreth nesh - një ushtri shumë e madhe. 39 Ka marrë në ndihmë edhe arabë. Fushimin e ka ngulur
përtej lumit e po përgatiten të vijnë të luftojnë kundër teje.” Juda u nis t’i befasojë.
40
Timoteu u tha prijësve të ushtrisë së vet: “Kur Juda e ushtria e tij t’i jetë afruar lumit me ujë, nëse do të
kalojë i pari kundër nesh, s’do të mundemi t’i bëjmë ballë, sepse do të ketë epërsi të madhe ndaj nesh; 41
kurse, nëse do të trembet të kalojë dhe e ngul fushimin përtej lumit, ne do të kalojmë e do ta mundim.”
42
Kur Juda iu afrua rrjedhës së ujit, i vendoi shkruesit e popullit gjatë lumit dhe u urdhëroi: “Askënd mos
lejoni të ngrehë tendën, por të gjithë le të sulen në luftë!” 43 Kaloi i pari kundër tyre e mandej mbarë populli
pas tij. Paganët qenë shpartalluar para tyre, i hodhën armët dhe ikën në faltoren Karnain. 44 Njëherë
pushtuan qytetin e mandej faltores i dhanë zjarr me të gjithë ata që ishin brenda. Kështu qe pushtuar
Karnaini dhe s’mundi t’i bëjë ballë Judës.
45
Juda i bashkoi të gjithë izraelitët që ishin në Galaaditidë, prej më të voglit e deri në më të madhin, gratë
e tyre, fëmijët e tyre e gjithçka kishin - një turmë shumë e madhe e drejtuar për Jude. 46 Arritën në Efron.
Ky qytet është në udhë, shumë i madh dhe i mbrojtur mirë. Nuk mund të kalohej përtej as djathtas as
majtas, vetëm për mes të tij. 47 Banorët e qytetit u ndrynë brenda e dyert i zunë me gurë. Juda u dërgoi lutje
me këso fjalësh miqësore: 48 “Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tuaj që të shkojmë në vendin tonë. Askush
prej nesh nuk do t’ju bëjë farë dëmi: do të kalojmë vetëm këmbë.” Por ata s’deshën t’ua hapin udhën.
49
Atëherë Juda i dha urdhër ushtrisë që secili të qëndronte aty ku ndodhej. 50 Ushtarët trima zunë
pozicionet. Juda e sulmoi qytetin gjithë ditën e gjithë natën edhe qyteti iu dorëzua. 51 Me teh të shpatës i
preu të gjithë meshkujt, e rrafshoi qytetin me gjithë themele, plaçkiti pasurinë dhe e përshkoi qytetin duke
kaluar përmbi kufoma. 52 E kaluan va Jordanin në rrafshinën e madhe kundruall Betsanit. 53 Gjithë rrugës
Juda s’i linte të ndahen të sprasmit turmës dhe i jepte zemër popullit deri që arritën në dheun e Judesë. 54
U ngjitën në malin Sion me këngë e me hare dhe kushtuan fli shkrumbimi që u kthyen në paqe pa mbetur
i vrarë asnjë prej tyre.
Humbja në Jamni
55
Ndër ato ditë kur Juda e Jonata ishin në Galaad e Simoni, vëllai i tij, në Galile, përballë Ptolemaidës, 56
Jozefi, biri i Zakarisë, dhe Azaria, prijësi i ushtrisë, dëgjuan për veprat e madhërueshme të tyre e për luftërat
që po i bënin, e thanë: 57 “T’ia rrisim edhe ne zërin vetes e të shkojmë e të luftojmë kundër paganëve që i
kemi përreth!” 58 U dhanë urdhra forcave që i kishin nën komandë e u nisën kundër Jamnisë. 59 Gorgia e
ushtarët e tij dolën nga qyteti të ndeshen me ta në luftë. 60 Jozefit e Azarisë u dha ikja dhe qenë përndjekur
deri në kufij të Judesë. Ranë të vrarë atë ditë prej popullit të Izraelit rreth dy mijë burra. Dhe u bë një ikje
e madhe në popull, 61 sepse nuk e dëgjuan Judën e vëllezërit e tij, duke menduar se do të bëjnë trimëri të
madhe.
62
Por, ja, nuk ishin nga gjaku i atyre burrave, të cilëve u ishte dhuruar ta shpëtojnë Izraelin.
Suksese në Idume e në Filistejë
63
Kreshniku Judë dhe vëllezërit e tij fituan nam të madh në mbarë Izraelin e në të gjitha kombet ku arrinte
lajmi i emrave të tyre. 64 Ngarendin tek ata dhe u brohorisnin. 65 Juda e vëllezërit e tij u nisën të luftojnë
bijtë e Ezaut në krahinën e jugut. E goditën Kebronin e fshtarat e tij, i rrënoi qytezat e tija dhe ia dogji
gjithkund përreth kullat. 66 Atëherë çoi fushimin për të shkuar në dheun e të huajve dhe e përshkoi Marisën.
67
Atë ditë ranë të vrarë priftërinjtë që deshën të dëftohen trima e mendjelehtësisht deshën të luftojnë. 68
Juda u drejtua kundër Azotit në dheun e të huajve, i rrënoi lterët e tyre, i dogji idhujt e tyre, i plaçkiti qytetet
dhe u kthye në dheun e Judës.
Vdekja e Antiokut Epifan
Kap. 6
1
Ndërkaq mbreti Antiok qarkullonte nëpër krahinat e epërta.
Dëgjoi se në Persi ishte Elimaida qytet i përmendur për pasuri, për ar e argjend, 2 dhe se kishte një tempull
tepër të pasur, se kishte në të armë të arta, pancirë e shqyta, që i kishte lënë atje Aleksandri i Filipit, mbreti
maqedonas, i cili i pari mbretëroi mbi grekë. 3 Arriti e dëshironte ta pushtojë qytetin për ta plaçkitur, por
nuk ia doli, sepse qytetarët e hetuan qëllimin e tij. 4 Ata i dolën përballë me armë në dorë. Iu desh të ikte
prej andej e të kthehej me trishtim të madh në Babiloni. 5 Ndërsa ky ende ishte në Persi erdhi një lajmtar
dhe e njoftoi se kishte qenë shpartalluar ushtria që kishte shkuar në Jude. 6 Edhe Lizja e kishte sulmuar me
një ushtri shumë të madhe, por qe vënë në ikje prej tyre dhe se judenjtë ishin bërë shumë të fortë me armë,
me ushtri e me plaçka të shumta që i kishin marrë nga çetat që i kishin shpartalluar, 7 se e kishin rrënuar
truporen e urryeshme që e kishte pasë ndërtuar përmbi lter që ishte në Jerusalem dhe se vendin e vet të
shenjtë e kishin rrethuar me mure të larta si më parë, po ashtu edhe Betzurën, njërën nga qytezat e tija. 8
Kur mbreti i dëgjoi këto lajme, mbeti i habitur, u trand për së tepërmi në shpirt, ra në shtrat e, prej trishtimit,
e kapi ligështi e madhe sepse nuk i ndodhi ashtu sikurse kishte menduar. 9 Mbeti në këtë gjendje për shumë
ditë, sepse i përsëritej vazhdimisht kjo ligështi e u bind se po vdiste. 10 Atëherë i thirri të gjithë miqtë e vet
e u tha: “Gjumi po më tret prej syve të mi e zemra po më pëlcet prej brengave 11 e mendova vetë më vete:
në ç’mjerim të madh rashë e në ç’stuhi të madhe po gjendem tash? Unë, që në kohën e kulmit të mbretërimit
tim isha i dashur e i nderuar! 12 Tash po më bien ndër mend të këqijat që ia bëra Jerusalemit kur ia rrëmbeva
të gjitha enët e arta e të argjendta, që ishin në të dhe kur kam dhënë urdhër të çfarosen pa arsye judenjtë.
13
Tash e kuptoj se të gjitha këto të zeza më gjetën për këtë punë. Ja, pra, po vdes me trishtim të madh në
dhe të huaj!”
Ardhja në fron e Antiokut V
14
Atëherë e thirri Filipin, njërin nga miqtë e vet, dhe e vuri në krye të mbretërisë së vet. 15 I dha kurorën e
petkun e vet mbretëror edhe unazën që t’ia rritë e t’ia edukojë djalin Antiok për ta marrë mbretërinë në
dorë. 16 E vdiq aty mbreti Antiok në vitin njëqindedyzetenëntë.
17
Lizja kur mori vesh për vdekjen e mbretit, e bëri mbret në këmbë të tij të birin Antiokun, të cilin e kishte
pasur në kujdes ta rritë e ta edukojë qysh në fëmijëri dhe ia ngjiti emrin Eupator.
Juda Makabe rrethon Qytezën e Jerusalemit
18
Ata që ishin në Qytezë, u qitnin izraelitëve pengime rreth Shenjtërores, s’pritonin t’u bëjnë ndonjë të
keqe vazhdimisht dhe i përkrahnin paganët. 19 I vendosur për t’i zhdukur, Juda bashkoi mbarë popullin për
t’i rrethuar. 20 U bashkuan, pra, dhe e rrethuan Qytezën në vitin njëqindepesëdhjetë.
Punuan vegla gjuajtëse e vegla të tjera lufte. 21 Por, disa nga të rrethuarit ia dolën të dalin jashtë dhe disa
të pabesë prej izraelitëve u bashkuan me ta; 22 shkuan te mbreti e i thanë: “Deri kur do të vonosh ta zbatosh
të drejtën e t’ua marrësh gjakun vëllezërve tanë? 23 Ne vendosëm t’i shërbejmë tyt et, t’i zbatojmë urdhrat
e tij e t’i nderojmë vendimet e tija. 24 Për këtë punë bijtë e popullit tonë e kanë rrethuar Qytezën dhe na
urrejnë. Për më tepër i vrasin të gjithë tanët që mund t’i zënë e na e marrin trashëgimin. 25 Ata jo vetëm se
çojnë dorë kundër nesh, por edhe mbi mbarë territorin tënd. 26 Ja, sot e kanë rrethuar Qytezën në Jerusalem
për ta pushtuar. I kanë fortifikuar Vendet e shenjta dhe Betsurën. 27 Nëse nuk do të nxitosh t’ua ndalësh
hovin, do të bëjnë edhe më zi e nuk do të mundesh më t’ua ndalësh hovin!”
Fushata e Antiokut V dhe e Lizjes. Lufta në Betzaharë
28
Mbreti, posa i dëgjoi këto, u zemërua dhe i bashkoi të gjithë miqtë e vet, komandantët e këmbësorisë e
të kalorësisë së vet. 29 Po edhe nga mbretëritë e tjera e nga ishujt e detit i erdhën ushtri me pagesë. 30 Numri
i ushtrisë së tij arriste në njëqind mijë këmbësorë, e njëzet mijë kalorës e tridhjetë e dy elefantë të ushtruar
për luftë. 31 Erdhën nëpër Idume dhe e rrethuan Betsurën. E sulmuan shumë ditë me vegla luftarake. Por,
të ngujuarit dilnin jashtë, ua digjnin veglat e i kundërsulmonin trimërisht.
32
Juda u largua nga Qyteza e shkoi të ngulë fushimin në Betzaharë, kundër çetave të mbretit. 33 Mbreti u
ngrit pak para ditës dhe me nxitim e drejtoi ushtrinë udhës së Betzaharës. Ushtria e tij u vu në rreshtat e
luftimit, u ranë borive, 34 elefantëve u dhanë lëng rrushi e mani për t’i nxitur për luftë. 35 Kafshët i venduan
ndërmjet rreshtave të luftës dhe për çdo elefant caktuan një mijë këmbësorë të mbërthyer me pancirë të
gërshetuar me vargje, me përkrenare të bronzta në kokë. Përveç këtyre caktuan për çdo elefant pesëqind
kalorës të zgjedhur. 36 Këta çdo herë, kudo gjendej kafsha, aty, ishin edhe ata, kahdo shkonte ajo, shkonin
edhe ata: nuk iu ndanin. 37 Mbi secilën kafshë ishin kulla të shtrënguara mirë, me nënbarkëse, mbrojtëse
dhe mbi secilën nga katër luftëtarë të zgjedhur që luftonin nga ajo edhe indusi që i grahte. 38 Pjesën tjetër
të kalorësisë mbreti e vendoi këndej e andej ushtrisë, mbanesh, për ta ngacmuar armikun e për ta mbrojtur
ushtrinë.
39
E, si ra dielli në shqyta të arta e të bronztë, shkëlqyen prej tyre malet dhe ndritën porsi vravashkat e
ndezura. 40 Një pjesë e ushtrisë mbretërore mori malet e larta e pjesa tjetër rrafshinën: gjurmët i ndërronin
me kujdes e në rregull.
41
Dridheshin të gjithë ata që e dëgjonin zhurmën e asaj morie, krizmën e ecjes e rropamën e armëve: vërtet
ishte një ushtri e madhe shumë dhe e fortë! 42 Juda me ushtrinë e vet u sul në luftë! Nga ushtria e mbretit
mbetën të vrarë gjashtëqind ushtarë.
43
Eleazar Abarani e pa një elefant, të mbrojtur me parzmore mbretërore: ngalliste mbi të gjitha kafshat e
tjera. Ia mori mendja se mbi të do të jetë mbreti. 44 Vendosi ta bëjë fli vetveten për ta shpëtuar popullin e
vet dhe për të fituar emër të pambarueshëm. 45 U lëshua turr plot guxim kundër tij, përmjedis të legjionit,
duke vrarë djathtas e majtas. Armiqtë ndaheshin përpara tij këndej e andej. 46 Shkoi e u fut nën elefant,
duke qenë ashtu nën të e shporoi me shpatë dhe e mbyti. Elefanti ra për tokë mbi të dhe Eleazari vdiq aty.
47
Por, judenjtë, duke e parë fuqinë e madhe të ushtrisë mbretërore dhe fuqinë sulmuese të saj, u tërhoqën
prej saj.
Pushtimi i Betsurës e rrethimi i Malit Sion prej sirianëve
48
Ushtria mbretërore u nis kundër jerusalemasve. Mbreti e nguli fushimin kundër Judesë e Malit Sion. 49
Bëri paqe me ata që ishin në Betsurë, të cilët dolën nga qyteti, sepse nuk kishin ushqime, pasi ishte viti
shtunor e nuk mund të duronin më të rrethuar: toka ishte në pushim. 50 Mbreti e pushtoi Betsurën dhe aty
e vendoi një njësi për ta ruajtur. 51 Ndërkaq e mbajti të rrethuar për kohë të gjatë Shenjtë- roren. Përdori
aty hedhës, vegla të ndryshme lufte, hedhës zjarri, makina hedhëse gurësh, makina për të hedhur shigjeta
dhe bahe. 52 Po edhe të rrethuarit punuan makina kundër makinash të tyre dhe luftuan për kohë të gjatë. 53
Por, në drithnikë nuk kishte më ushqime. Ishte viti i shtatë e për më tepër izraelitët që kishin ardhur në
Jude prej paganëve u dhanë fund edhe tepricave të fundit.
54
Atëherë në Shenjtërore u la një pakicë njerëzish, sepse i kishte ngushtuar uria. Të tjerët u shpërndanë
secili në vendin e vet.
Mbreti u jep izraelitëve lirinë fetare
55
Lizja mori vesh e Filipi, të cilin mbreti Antiok, kur ende ishte gjallë, e kishte caktuar, t’ia përgatisë të
birin për sundimtar, 56 kishte kthyer nga Persia në Medi bashkë me ushtrinë që kishte pasë shkuar me të
dhe se kërkonte t’i marrë në dorë punët e mbretërisë. 57 U dëftoi me nxitim se duhet të shkojnë. I tha
mbretit, prijësve të ushtrisë dhe njerëzve: “Çdo ditë jemi më të ligshtë, ushqime kemi pak, vendi që po e
rrethojmë është i forcuar mirë. Mandej na presin edhe punët e mbretërisë. 58 Tash, pra, t’ua japim të djathtat
këtyre njerëzve, të bjëmë paqe me ta e mbarë popullin e tyre. 59 Po u lejojmë të jetojnë sipas dokeve të tyre
si më parë: për shkak të Ligjit të tyre që ua ndaluam, u zemëruan me ne e vepruan kështu.”
60
Mbretit dhe prijësve u pëlqeu ky parashtrim. Dërgoi të bëjnë paqe dhe çifutët pranuan. 61 Mbreti dhe
krerët përforcuan marrëveshjen me përbetim. Me këto qyshke dolën të rrethuarit nga Qyteza. 62 Mbreti hyri
në Malin Sion e pa vendin e fortifikuar, e theu përbetimin që kishte bërë dhe dha urdhër të rrënohet muri
rrethues. 63 Atëherë vrik e çoi fushimin e u kthye në Antioki. Aty e gjeti Filipin zotërues të qytetit. E sulmoi
qytetin dhe e pushtoi me forcë.
Demetri I bëhet mbret. Ai dërgon Bakidën e Alcimin në Jude
Kap. 7
1
Në vitin njëqind e pesëdhjetë e një, Demetri, biri i Seleukut, iku nga Roma, me pak njerëz erdhi në një
qytet detar dhe aty u shpall mbret. 2 Kur hyri në pallatin mbretëror të etërve të vet, ushtria e kapi Antiokun
e Lizjen për t’ia dorëzuar. 3 Kur e mori vesh, tha: “Mos m’i dëftoni fytyrat e tyre!” 4 Atëherë ushtria i vrau
e Demetri hypi në fronin e mbretërisë së vet.
5
Erdhën atëherë tek ai disa izraelitë - njerëz të paligjë e të pafe në krye me Alcimin që dëshironte të bëhej
kryeprift.
6
Këta e paditën popullin te mbreti. Thanë: “Juda e vëllezërit e tij i vranë të gjithë miqtë e tu e ne na treti
nga vendi ynë. 7 Prandaj dërgoje një njeri, në të cilin ke besim, të vijë e të shohë gjithë rrënimin që na e ka
shkaktuar neve e krahinës së mbretit, le t’i ndëshkojë ata dhe të gjithë përkrahësit e tyre.”
8
Mbreti e zgjodhi Bakidin, njërin nga miqtë e mbretit, qeveritarin e krahinës përtej Lumit, njeri i madh në
mbretëri e besnik i mbretit. E dërgoi atë 9 e me të edhe Alcimin e patenzonë, të cilin e bëri kryeprift dhe i
urdhëroi të bëjë ahmarrje kundër bijve të Izraelit. 10 Këta u nisën dhe me një ushtri të madhe arritën në
dheun e Judesë, Dërgoi te Juda e vëllezërit e tij lajmëtarë me parashtrime paqësore, por me dredhi. 11 Por,
ata nuk u besuan fjalëve të tyre, sepse panë se kishin ardhur me ushtri të madhe. 12 Ndërkaq një grup
skribësh u takua me Alcimin e me Bakidin për të kërkuar të drejtat. 13 Të parët prej bijve të Izraelit qenë
asidenjtë që kërkuan paqe prej tyre. 14 Ata thoshin: “Është prift prej barkut të Aronit që erdhi e nuk do të
na gënjejë.” 15 Foli me ta fjalë paqeje dhe u përbetua: “S’do t’ju bëjmë asnjë të keqe as juve as miqve tuaj.”
16
Ata i besuan. Por, ai i kapi prej tyre gjashtëdhjetë vetë dhe i vrau në një ditë, sipas fjalës së Shkrimit
shenjt:
17
“Kufomat e shenjtërve të tu dhe gjakun e tyre e kanë derdhur rreth Jerusalemit dhe s’ishte askush që t’i
varroste.”
18
Atëherë mbarë popullin e pushtoi frika dhe tmerri i tyre.
Thoshin: “Nuk ka në ta as besë as drejtësi, sepse e shkelën besën dhe benë që e bënë.”
19
Bakidi e çoi ushtrinë nga Jerusalemi dhe e rrethoi Betzaitin. Urdhëroi të kapen shumë njerëz që kishin
kaluar në anën e tij si edhe disa nga populli. Urdhëroi të hidhen në pusin e madh. 20 Mandej vendin ia
dorëzoi Alcimit duke i lënë një numër ushtarësh për t’iu gjetur në ndihmë. Atëherë Bakidi u kthye te mbreti.
21
Alcimi luftonte për ta fituar kryepriftërinë. 22 Të gjithë ngatërrestarët e popullit u bashkuan me të, ua dha
tokën e Judesë dhe bënë kërdi të madhe në Izrael. 23 Kur Juda pa të gjithë atë të keqe që po ua bënte Alcimi
e përkrahësit e tij bijve të Izraelit edhe më zi se paganët, 24 e përshkoi të gjithë krahinën e Judesë rreth e
për qark, bëri ahmarrje mbi tradhtarë dhe ua ndaloi të qarkullojnë nëpër krahinë.
Nikanori në Jude. Lufta në Kafarsalamë
25
Kur Alcimi pa se Juda me ata që ishin me të, ishte më i fortë dhe, si e kuptoi se s’ishte në gjendje t’iu
bëjë ballë, u kthye te mbreti dhe i paditi se po bënin krime.
26
Atëherë mbreti e dërgoi Nikanorin, një ndër prijësit e tij më bujar, por që i urrente dhe ushtronte armiqësi
kundër Izraelit. Mbreti i urdhëroi t’ia tresë farën popullit.
27
Nikanori arriti në Jerusalem me ushtri të madhe. Dërgoi lajmëtarë te Juda e vëllezërit e tij me fjalë paqeje,
por me qëllim që t’i tradhtojë. 28 U thoshte: “Të mos ketë luftë ndërmjet meje e jush. Do të vij te ju me një
përcjellje të vogël për t’u takuar me ju në paqe.” 29 Arriti te Juda. U përshëndetën miqësisht, por armiqtë
ishin të gatshëm për ta rrëmbyer Judën. 30 Juda e mori vesh se ai kishte ardhur me qëllime të këqija, ia pati
frikën e nuk deshi më t’ia shohë fytyrën. 31 Edhe Nikanori e pa se iu zbulua qëllimi, atëherë doli të ndeshet
në luftë me Judën afër Kafarsalamës. 32 Prej njerëzve të Nikanorit mbetën të vrarë rreth pesëqind vetë, të
tjerët ikën në qytezën e Davidit.
Kërcënime kundër Tempullit
33
Pas këtyre ngjarjeve Nikanori u ngjit në Malin Sion. Nga vendi i shenjtë dolën disa nga priftërinjtë e
krerët e popullit për ta përshëndetur miqësisht dhe për t’ia treguar flinë e shkrumbimit që po e kushtonin
për mbretin. 34 Por, ai, duke i përqeshur, i përbuzi, i ndoti, u foli me kreni 35 dhe, i zemëruar, u përbe duke
thënë: “Nëse nuk do të dorëzohet menjëherë Juda e ushtria e tij në duar të mia, po ju përbehem se, kur të
kthehem si ngadhënjimtar, do ta djeg këtë Shtëpi!” Dhe doli jashtë i zemëruar sa s’ka. 36 Priftërinjtë u
kthyen brenda, qëndruan para lterit e para Tempullit e thanë ndër lot: 37 “Ti e zgjodhe këtë Shtëpi për ta
thirrur mbi të Emrin tënd, që të jetë Shtëpi urate, përlutjeje për popullin tënd: 38 hakmerrju këtij njeriu e
ushtrisë së tij: le të bien të prerë prej shpatës! Mos i harro hyjshmitë e tyre e mos i lër gjallë!”
Dita e Nikanorit në Adasë
39
Nikanori doli nga Jerusalemi dhe e nguli fushimin në Betoron, ku iu bashkua një ushtri e Sirisë. 40 Edhe
Juda e nguli fushimin në Adasë me tri mijë vetë. Juda u lut e tha:
41
“Kur të dërguarit e mbretit hyjshmuan, u ngrit engjëlli e i zhbiu ndër ta njëqind e tetëdhjetë mijë. 42
Kështu, asgjësoje sot ndër sytë tanë këtë ushtri që të gjithë të tjerët ta kuptojnë se ka hyjshmuar kundër
gjërave të shenjta të tua dhe dënoje sipas bakeqësisë së tij!”
43
Ushtritë ranë në luftë më trembëdhjetë të muajit Adar. Ushtria e Nikanorit u shpartallua edhe vetë
Nikanori mbeti i vrarë. 44 Kur ushtria e tij pa se mbeti Nikanori, i hodhën armët e ikën. 45 I dëbuan një ditë
udhë prej Adasës e deri në Gazarë duke u rënë borive në shenjë kushtrimi. 46 Nga të gjitha fshatrat e Judesë
përreth dilnin e i rrethonin. U ranë në shpinë: të gjithë mbetën të vrarë prej shpatës sa që asnjë prej tyre
nuk shpëtoi! 47 I plaçkitën e u morën prenë. Nikanorit ia shkurtuan kokën dhe dorën e djathtë që e kishte
ngritur me kreni, i çuan dhe i ngulën lart kundruall Jerusalemit.
48
Populli u gëzua pa masë. Këtë ditë e kremtoi si ditë gëzimi të madh. 49 Caktuan që ajo ditë të kremtohej
çdo vit më trembëdhjetë të muajit Adar. 50 Kështu, Judeja pati për pak kohë qetësi.
Lavdërim romakëve
Kap. 8
1
Juda dëgjoi për zërin e romakëve se janë të fuqishëm me ushtri, se janë të gatshëm t’u ndihmojnë të
gjithëve për çka u kërkonin ndihmë, dhe se bënin miqësi me të gjithë ata që u drejtoheshin atyre. 2 Vërtët
ishin shumë të fuqishëm. I treguan luftërat e tyre e fitoret e mëdha që i arritën në Galaci, si i pushtuan dhe
i vunë nën të dhjeta 3 dhe sa bënë në krahinën e Hispanisë, se si i pushtuan minierat e arit e të argjendit që
janë atje; 4 se si e pushtuan atë vend me urtësi e me durim - vendi ishte shumë larg prej tyre-; se si i zhdukën
dhe i goditën keqas fort mbretërit që kishin ardhur kundër tyre nga skajet e tokës dhe se si disa u sjellin
tatime për çdo vit. 5 I kishin mandej mundur në luftë e nënshtruar Filipin e Perseun, mbretin e citinjve, si
edhe të gjithë ata që kishin marrë armët kundër tyre: të gjithë i kishin mundur në luftë e i kishin pushtuar.
6
Edhe Antiokun, mbretin e madh të Azisë, që u kishte shpallur luftë e kishte njëqind e njëzet elefantë e
kalorsësi e karroca lufte e ushtri tejet të madhe: mori vesh se e kishin thyer. 7 Madje e kishin zënë gjallë
dhe se i kishin urdhëruar të paguajë ai e pasardhësit e tij tatime të rënda, të japë pengje e të pranojë
marrëveshjen, 8 i mori krahinën e Indisë, Medinë, Lidinë dhe disa nga më të bukurat krahina të tyre e ia
dha mbretit Eumen. 9 Mori vesh se si grekët kishin pasë vendosur të shkojnë e t’i asgjësojnë. Romakët e
morën vesh, 10 dërguan kundër tyre vetëm një prijës ushtarak. Luftuan kundër tyre e prej grekëve ranë të
vrarë një shumicë e madhe, gratë e fëmijët e tyre ua morën skllevër, i plaçkitën, ua pushtuan vendin, ua
rrënuan fortesat dhe i kthyen në robëri deri në ditën e sotme. 11 Po ashtu edhe mbretëritë e tjera dhe ishujt
që u kundërshtuan, i shfarosën dhe i shtruan nën sundim. 12 Lidhur me miqtë e tyre, me ata që mbështeten
në ta, e kishin ruajtur miqësinë. Kishin pushtuar mbretër të afërm e të largët e, kushdo e dëgjonte emrin e
tyre, i kishte frikë. 13 I ndihmojnë kujt duan. Mbretërojnë ata që i çmojnë të denjë të mbretërojnë, të tjerët
i flakin nga froni. Janë në kulmin e pushtetit! 14 E me të gjitha këto asnjë s’mbante kurorë, s’veshte purpur
për t’u madhështuar me të. 15Kanë themeluar këshillin, në të cilin këshillohen çdo ditë treqind e njëzet
anëtarë duke peshuar vazhdimisht punët e popullit që gjithçka të shkojë mbarë. 16 Njërit prej tyre i besojnë
për një vjet sundimin e drejtimin e krejt mbretërisë së vet. Të gjithë e dëgjojnë njërin e ndërmejt tyre s’ka
as smirë as zili.
Lidhja e judenjve me romakë
17
Juda e zgjodhi Eupolemin, birin e Gjonit të Akosit edhe Jasonin, birin e Eleazarit, e i dërgoi në Romë të
bëjnë me ta miqësi e lidhje 18 që të çlirohen nga zgjedha, sepse e shihnin se mbretëria e grekëve izraelitët
i kishte bërë skllevër. 19 Ata - pas një udhëtimi shumë të gjatë - arritën në Romë, hynë në senat, morën
fjalën e thanë: 20 ”Juda Makabe e vëllezërit e tij dhe populli judeas na kanë dërguar te ju të bëjmë lidhje e
paqe me ju, e që të jemi të shkruar në numrin e aleatëve e të miqve tuaj.” 21 Kjo kërkesë u pëlqeu senatorëve.
22
Ja dysheritja e letrës që e shkruan mbi pllaka të bronzta dhe e dërguan në Jerusalem, që t’u jetë atryre si
dokument paqeje e besëlidhjeje:
23
“Paçin romakët e populli judeas fat të mbarë në det e në terik gjithherë! Shpatë e armik qofshin larg tyre!
24
Nëse do të ketë luftë, më parë kundër Romës ose edhe kundër çdo aleati të tij në mbarë perandorinë e
saj, 25 populli i judenjve do të sjellë ndihmë me plot zemër ashtu si ta kërkojnë rrethanat. 26 Armiqve nuk
do t’u japë as s’do t’i furnizojë me drithë, armë, argjend e anije: kështu ka vendosur Roma dhe do t’i
zbatojnë detyrimet e veta pa pritur farë shpërblimi. 27 Gjithashtu, po qe se populli i judenjve do të bjerë më
parë në luftë, romakët do t’u ndihmojnë me gjithë shprit aq sa t’iu lejojnë rrethanat. 28 Ndihmësve nuk do
t’u jepet drithë, armë, argjend as anije. Kështu vendosi Roma. Do t’i mbaj këto detyrime pa farë dredhie.
29
Me këto fjalë romakët kanë lidhur marrëveshjen me popullin e judenjve. 30 Në qoftë se pas këtyre
vendimeve njëra ose tjetra palë do të dëshirojë të shtojë ose edhe të mungojë ndonjë send, do ta bëjnë me
përkim të përbashkët dhe, çdo gjë që të shtojnë ose të heqin, do t’i detyrojë.
31
Lidhur me të këqija që ua bëri mbreti Demetër, kështu i kemi shkruar: ‘Pse e rëndove zgjedhën tënde
mbi miqtë tanë, besëlidhësit tanë judenjtë? 32 Nëse edhe një herë do të ankohen kundër teje, do t’i mbrojmë
të drejtat e tyre e do të luftojmë kundër teje në det e në tokë.’”
Lufta në Beret dhe vdekja e Judës Makabe
Kap. 9
1
Kur Demetri mori vesh se kishte rënë në luftë Nikanori dhe ushtria e tij, vendosi ta dërgojë përsëri në
Jude Bakidin e Alcimin e me ta krahun e djathtë të ushtrisë. 2 Ata u nisën në drejtim të Galgalës dhe e
ngulën fushimin në Masalot, që është në Arbelë. E pushtuan atë dhe vranë shumë njerëz. 3 Mandej në
muajin e parë të vitit njëqindepesëdhejtedytë ngulën fushimin kundër Jerusalemit. 4 Mandej u nisën e
shkuan në Beret me njëzet mijë këmbësorë e me dy mijë kalorës. 5 Juda e kishte ngulur fushimin e vet në
Elasë. Kishte me vete tri mijë ushtarë të zgjedhur. 6 Kur panë se ushtria ishte tepër e madhe, u trembën për
së forti. Shumë u larguan nga fushimi e s’mbetën prej tyre, pos tetëqind vetë. 7 Juda pa se atëherë kur lufta
po ndizej flakë ushtria e tij ishte shpërndarë. Zemra iu gri pse s’kishte kohë t’i bashkojë. 8 Ashtu i tronditur
krejtësisht, u tha atyre që kishin mbetur:
“Në këmbë! Të sulemi kundër armiqve tanë, ndoshta do t’i mundim!” 9 U munduan ta largojnë nga ai
mendim e i thanë: “Tash s’mund të bëjmë tjetër, por ta shpëtojmë vetveten e më vonë do të kthehemi me
vëllezërit tanë e do t’i mundim. Vërtet jemi tepër pak!” 10 Por, Juda vazhdoi: “Larg qoftë (ta bëjmë këtë
gjë) të ikim para tyre! Nëse na ka ardhur dita, le të vdesim si burrat për vëllezërit tanë e të mos i lëmë dangë
lavdisë sonë!”
11
Ushtria doli nga fushimi e qëndroi ballë për ballë me armikun. Kalorësia qe ndarë në dy pjesë, bahëtarët
e shigjetarët ecnin në ballë të ushtrisë, kështu edhe togat sulmuese: të gjithë trima mbi trima. 12 Bakidi ishte
në krahun e djathtë. Rreshti i luftës afrohej nga të dy anët e krisnin boritë! Ushtuan boritë edhe nga ata që
ishin në anën e Judës, 13 u tund toka nga zhurma e ushtrive! Krisi lufta prej mëngjesit deri në mbrëmje.
14
Juda hetoi se Bakidi dhe pjesa më e fortë e ushtrisë ishte në krahun e djathtë. Me të u bashkuan të gjithë
zemërluanët 15 dhe, prej tyre qe thyer krahu i djathtë dhe i ndoqi deri në malin Azot. 16 Kur panë ata të
krahut të majtë se u thye krahu i djathtë, u vunë pas Judës e atyre që ishin me të, pas shpine. 17 Atëherë u
ndez flakë lufta dhe u plagosën shumë nga njëra dhe nga pala tjetër. 18 Atëherë ra edhe Juda e të tjerët ikën.
Salikimet e Judës Makabe
19
Jonata e Simoni e morën Judën, vëllanë e vet, dhe e varrosën në varrin e etërve të vet në Modin. 20 E
qanë dhe i bënë gjëmë të madhe mbarë populli i Izraelit dhe mbajtën zi për shumë ditë. 21 E vajtonin kështu:
“Oh si ra trimi i trimit që e shpëtonte Izraelin!”
22
Veprat e tjera të Judës, luftërat e trimëritë që i bëri e veprat e tjera të madhërueshme të tija nuk kanë
qenë shkruar: ishin me të vërtetë të shumta!
IV. JONATANI KRYETAR I JUDENJVE
DHE KRYEPRIFT /160 - 143 para Kr./
Ngadhënjimi i partisë greke. Jonata kryetar i rezistencës
23
Pas vdekjes së Judës çuan krye në mbarë dheun e Izraelit bakëqijtë dhe u ngritën të gjithë ata që bënin
keq. 24 Ndër ato ditë u bë zi e madhe buke dhe mbarë vendi u bë me ta. 25 Bakidi zgjodhi njerëz të këqij
dhe i bëri pari të vendit. 26 Këta i kërkonin dhe i shqyrtonin miqtë e Judës e i sillnin te Bakidi, i cili i
ndëshkonte dhe i vinte në lojë. 27 E aso kohe në Izrael u bë një shtypje e madhe sa që një shtypje e tillë nuk
u pa qysh se ndër ta nuk u duk ndonjë profet.
28
Atëherë u bashkuan të gjithë miqtë e Judës e i thanë Jonatës: 29 ”Qysh se yt vëlla Juda vdiq, nuk ka më
njeri porsi ai që t’u dalë përballë armiqve - Bakidit e atyre që janë armiq të popullit tonë. 30 Ne, pra, po të
zgjedhim sot të jesh prijësi dhe udhëheqësi për të luftuar luftën tonë në vend të tij.” 31 Atë ditë Jonata e
mori udhëheqësinë dhe zuri vendin e të vëllait, Judës.
Jonata në shkretëtirën e Tekues. Ngjarje të përgjakshme rreth Madabës
32
Bakidi e mori vesh e kërkonte ta vrasë. 33 E morën vesh edhe Jonata, Simoni, vëllai i tij, e të gjithë ata
që ishin me të u arratisën në shkretëtirën Tekue e ngulën afër ujit të liqenthit Asfar. 34 Bakidi e mori vesh
ditën e shtunë dhe ai e gjithë ushtria e tij kaluan përtej Jordanit.
35
Jonata dërgoi vëllanë e vet, në krye të përcjelljes, për t’iu lutur nabutenjve, miqve të vet, t’i lënë në rojë
te ta pajisjet e veta që s’ishin pak. 36 Por, i dolën bijtë e Jambriut nga Madaba, e zunë Gjonin me gjithçka
kishte dhe shkuan me atë pre. 37 Pas këtyre ngjarjeve, i ra në vesh Jonatës e Simonit, vëllait të tij, se bijtë
e Jambriut po bënin dasmë të madhe e me kremtori të madhe dhe se po e merrnin nusen nga Nadabati,
vajzën e njërit nga krerët e mëdhenj të Kanaanit. 38 Atëherë u ra ndër mend gjaku i vëllait të tyre, i Gjonit.
U ngjitën në mal dhe u fshehën. 39 I çuan sytë e panë një turmë të madhe zhurmëzëre dasmorësh; dhëndri
me vëllezër e me miq u shkonte në takim me tupana, me vegla muzikore e me armë të shumta. 40 Dolën
nga prita, u sulën në ta dhe i vranë e shumë të tjerë mbetën të plagosur. Të tjerët ikën e morën malin.
Judenjtë u morën gjithçka kishin pasur. 41 Kështu dasma u kthye në vaj, e kënga e muzikës së tyre në
vajtim. 42 Ia morën gjakun vëllait të vet dhe u kthyen në brigjet e Jordanit.
Kalimi përtej Jordanit
43
Kur e mori vesh Bakidi, erdhi me ushtri të madhe në një të shtunë në brigjet e Jordanit. 44 Jonata u tha të
vetëve: “Në këmbë! Të luftojmë për jetën tonë! Sot nuk është si dje e pardje! 45 Ja, armiqtë i kemi përballë
e pas shpine! Në njërën e në anën tjetër uji i Jordanit, kënetë e pyll! S’ka mundësi të ikim! 46 Tash klithni
drejt Qiellit që të mund të shpëtoni nga kthetrat e armiqve tuaj!” Atëherë krisi lufta! 47 Jonata çoi dorën për
ta goditur Bakidin, por ky u shmang prapazi. 48 Atëherë Jonata e njerëzit e tij kërcyen në Jordan e not
kaluan në anën tjetër. Armiqtë nuk kaluan pas tyre përtej Jordanit. 49 Atë ditë në anën e Bakidit mbetën të
vrarë një mijë ushtarë. Atëherë u kthyen në Jerusalem.
Fortifikimet e Bakidit. Vdekja e Alcimit
50
Bakidi atëherë nisi t’i ndërtojë nëpër Jude qytetet e fortifikuara me mure të larta: qytezën që ishte në
Jerikon, në Emaus, në Betoron, në Betel, Tamnatë, Faraton e Tefon. 51 Në to vendoi njësi roje që të
ushtronin armiqësi në Izrael. 52 E fortifikoi qytetin e Betsurës e të Gazarës dhe Qytezën. Vendoi ushtarë e
ushqime në to. 53 I mori peng bijtë e krerëve të krahinës e i vuri nën rojë në Qytezën e Jerusalemit.
54
Në vitin njëqind e pesëdhjetë e tre, në muajin e dytë, Alcimi dha urdhër të rrënohet muri i tremes së
brendshme; kështu rrënonte veprat e profetëve. Ia filloi t’i rrënojë. 55 Në atë kohë Alcimi qe goditur dhe qe
ndërprerë vepra e tij, mbeti pa gojë, u paralizua e nuk mundte më të flasë asnjë fjalë, as familjes së vet nuk
mundte t’i japë urdhra. 56 Në atë kohë Alcimi vdiq në dhimba të mëdha. 57 Kur pa Bakidi se vdiq Alcimi,
u kthye te mbreti. Dheu i Judës pushoi i qetë për dy vjet.
Rrethimi i Betbasiut
58
Të gjithë të paligjët bënë këtë këshillim: “Qe, Jonata e të tijtë po jetojnë të qetë e të sigurt. Të shkojmë,
pra, e ta sjellim Bakidin e t’i kapë të gjithë në një natë të vetme.” 59 Shkuan, pra, e ia dhanë këtë këshill. 60
Ai u ngrit me një ushtri të madhe e u nis për rrugë dhe u shkroi fshehtas letër besëlidhurve të vet që ishin
në Jude, për ta kapur Jonatanin me ata që ishin me të. Por, nuk ia dolën, sepse ata e hetuan synimin e tyre.
61
Përkundrazi, këta i zunë disa vetë të krahinës - prijësit e kësaj tradhtie - rreth pesëdhjetë vetë e i vranë.
62
Atëherë Jonatani e Simoni me ata që ishin me ta, u shmangën në Betbasi, në shkretëtirë. Ndreqën rrënojat
e saja dhe e fortifikuan. 63 Bakidi e mori vesh, bashkoi të gjithë ushtrinë e vet e i thirri edhe përkrahësit e
vet nga Judeja. 64 Shkoi, nguli fushimin përballë Betbasiut, punoi vegla luftarake e luftoi shumë ditë.
65
Jonatani e la vëllanë e vet Simonin në qytet, kurse ai vetë, me pak njerëz, doli ta qarkullojë krahinën. 66
E goditi Odomerën me vëllezër e bijtë e Fasironit në tëbanishten e tyre: vriste e priste e gjithnjë rritej në
fuqi. 67 Ndërkaq Simoni me ata që ishin me të, dolën nga qyteti e i ndezën veglat luftarake 68 e luftuan
kundër Bakidit, e thyen dhe e ankthuan rëndë, sepse synimi i tij dhe sulmi i dolën pa sukses. 69 E pushtoi
një felgrim i madh kundër atyre mbrapshtanave që e kishin këshilluar të vijë në krahinë, shumë prej tyre i
vranë e vendosën të kthehen në vendin e vet. 70 Jonata e mori vesh këtë gjë, dërgoi tek ai kasnecët për të
lidhur paqe e për t’i ndërruar robërit e luftës. 71 Ai pranoi e bëri sipas kërkesave të tija, për më tepër iu
përbetua se për sa të jetë gjallë nuk do t’ia bëjë asnjë të keqe. 72 Pasi ia ktheu robërit e luftës që më parë i
kishte robëruar në dheun e Judës Bakidi u kthye e shkoi në vendin e vet e kurrë s’i shkeli më këmba në
dheun e Judës. 73Shpata pushoi në Izrael. Janata nguli në Makmas. Aty zuri të ushtrojë gjyqin e popullit.
Nga Izraeli i çrrënjosi të patenzonët.
Përpjekja e Aleksandrit Balas. E vë Jonatanin kryeprift
Kap. 10
1
Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë, Aleksandri Epifan, biri i Antiokut, erdhi dhe e pushtoi Ptolemaidën. E
pranuan për mbret e nisi të mbretërojë aty. 2 Mbreti Demetër, në këtë lajm, bashkoi një ushtri shumë të
madhe e doli të ndeshet me të në luftë. 3 Në anë tjetër Demetri i dërgoi Jonatanit një letër shumë
paqëdashëse për t’i dhënë rëndësi. 4 Sepse mendonte: “Të shpejtojmë të bëjmë paqe me të, para se ai të
bëjë paqe me Aleksandrin kundër nesh. 5 Jonatani do t’i kujtojë të gjitha të zezat që ia kemi bërë atij, vëllait
të tij e popullit të tij.” 6 I dha mandej pushtet të bashkojë ushtri, të punojë armë e të jetë besëlidhës i tij.
Urdhëroi gjithashtu t’i dorëzohen pengjet që ishin në Qytezë.
7
Jonatani erdhi në Jerusalem dhe e lexoi letrën para mbarë popullit e para atyre që ishin në Qytezë. 8 Këta
i kapi frikë e madhe kur dëgjuan se mbreti i kishte dhënë të drejtën të mbajë në këmbë ushtri. 9 Njerëzit që
ishin në Qytezë ia dorëzuan Jonatanit pengjet. Ky ua ktheu prindërve të tyre. 10 Jonatani banoi në Jerusalem
e filloi ta rindërtojë e ta përtërijë qytetin. 11 Ndërtuesve u urdhëroi t’i ndërtojnë muret e për ta mbrojtur ta
rrethojnë me mure me gurë të latuar Malin Sion. Ashtu edhe bënë. 12 Të huajt që ishin në fortesa që i kishte
pasë punuar Bakidi, ikën: 13 secili prej tyre e lëshoi detyrën e vet e shkoi në vend të vet. 14 Vetëm në Betzurë
mbetën disa tradhtarë të Ligjit e të urdhërimeve: aty gjetën strehim.
15
Mbreti Aleksandër dëgjoi për premtimet që Demetri ia kishte dërguar Jonatanit. I kishin treguar edhe
për luftëra e trimëri, me të cilat ishin dalluar ai e vëllezërit e tij, si edhe për mundime që u ishte dashur t’i
sprovojnë. 16 Mendoi: “A mund ta gjejmë, vallë, një burrë si ai? Ta bëjmë atë mikun e besëlidhësin tonë!”
17
Ia shkroi dhe ia dërgoi një letër me këto fjalë:
18
“Mbreti Aleksandër të fala vëllait Jonatan. 19 Kemi dëgjuar për ty se je burrë i fuqishëm e i aftë të jesh,
miku ynë. 20 Ne sot të bëmë kryepriftin e popullit tënd e mikun e mbretit - i dërgoi edhe petkun e purpurt
e kezën e artë - që të jesh me ne e ta ruash miqësinë me ne.”
21
Jonatani u vesh me petkun e shenjtëruar në të shtatin muaj të vitit njëqind e gjashtëdhjetë në ditën e të
kremtes së Tendave. Mandej bashkoi ushtrinë e mblodhi edhe shumë armë.
Letra e Demetrit I Jonatanit
22
Kur Demetri dëgjoi për këto ngjarje, u prish shumë e tha:
23
“Çka bëmë që e lejuam Aleksandrin t’i bëjë çifutët miq para nesh për t’u përforcuar? 24 Do t’u shkruaj
edhe unë fjalë grishjeje e do t’u parashtroj nder e dhurata me qëllim që të kalojnë në anën tonë.” 25 Dhe u
shkroi këto fjalë:
“Mbreti Demetër të fala popullit të judenjve! 26 Pasi e keni mbajtur me ne godin dhe e keni ruajtur miqësinë
me ne e nuk kaluat kah armiqtë tanë: e morëm mirë vesh dhe u gëzuam. 27 Vazhdoni, pra, ta ruani
besnikërinë tuaj ndaj neve e ne do t’ju shpërblejmë me dhurata për gjithçka që do të bëni për ne. 28 Do t’ju
falim shumë pagesa e do t’ju japim shumë dhurata. 29 Që tash po ju fal e po i shkarkoj të gjithë judenjtë
nga pagesat e nga të drejtat mbi kripë e nga kurorat. 30 Edhe të tretën e prodhimeve të arave edhe gjysmën
e frutave të pemëve, që më takon t’i marr, që me sot e më tutje po ia fal dheut të Judës dhe tri krahinave që
i janë mbështetur asaj - Samarisë e Galilesë - prej ditës së sotme e përgjithmonë. 31 Edhe Jerusalemi le të
jetë i shenjtë dhe i lirë nga pagesat e të dhjetat me gjithë rrethin që i përket.
32
I bie mohit edhe të drejtës mbi Qytezën e Jerusalemit e ia lë në dorë kryepriftit. Ai le t’i caktojë në të
njerëzit që do t’i zgjedhë vetë për rojën e saj.
33
I fal lirinë pa kurrfarë shpërblimi secilit judeas që ka qenë zënë rob nga dheu i Judës kudo të jetë në
mbretërinë time. Vendos që të gjithë të jenë të liruar nga pagesat edhe për bagëti të tyre.
34
Kështu edhe të gjitha të kremtet, të shtunat, hëna e re, ditët e Ligjit, tri ditët para të kremtes e tri ditë pas
të kremtes, le të jenë të gjitha për të gjithë judenjtë që janë në mbretërinë time, ditë paprekshmërie e faljeje.
35
Askush s’do të ketë të drejtë të kërkojë prej tyre ndonjë pagesë ose ta trazojë ndonjërin prej tyre për
çfarëdo arsyeje.
36
Do të mund të merren në ushtrinë e mbretit deri në tridhjetë mijë judenj e do t’u jepet paga si të gjithë
ushtarëve të mbretit. 37 Prej tyre do të caktohen asish që do të qëndrojnë në fortesat e mëdha të mbretit,
disa prej tyre do të vihen në krye të punëve të mbretit që kërkojnë besim. Kryetarët dhe prijësit e tyre do
të zgjidhen prej tyre e do të jetojnë sipas ligjeve të tyre, si e ka caktuar mbreti edhe për Judenë.
38
Tri krahinat që iu shtuan Judesë nga krahina e Samarisë, le t’i mbështeten Judesë e le të jenë të sajat, nën
një sundimtar të vetëm dhe të mos i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër përveç të kryepriftit.
39
Ptolemaidën me rrethinat që i përkasin, po ia jap dhuratë Shenjtërores së Jerusalemit, për shpenzime të
domosdoshme të Shenjtërores. 40 Unë do të jap çdo vit pesëmbëdhjetë mijë sikla të argjendtë prej të
ardhurave të mbretit të marra nga vendet që më përkasin. 41 Gjithashtu çka mbeti pa u dhënë prej zyrtarëve
në vitet e kaluara, le të jepet për nevojat e Tempullit. 42 Përveç kësaj, edhe ato pesë mijë sikla të argjendtë,
që i merrnin për çdo vit nga të ardhurat e Shenjtërores, edhe këto le të falen e le t’u jepën priftërinjve që
kryejnë shërbesën. 43 Kushdo të strehohet në Tempullin e Jerusalemit ose në hijen e tij për shkak të
borxheve ndaj mbretit ose për çdo shkak tjetër, le të jetë i lirë me gjithë pasurinë që ka në mbretërinë time.
44
Edhe për çka duhet të ndërtohet ose të ripërtëritet në Tempull, shpenzimet le të merren nga të ardhurat e
mbretit. 45 Po ashtu edhe për rindërtimin e mureve të Jerusalemit edhe për fortifikimin përreth, shpenzimet
le të jepen nga vishtari i mbretit si edhe për të ndërtuar mure në Jude.”
Jonatani s’i pranon ofertat e Demetrit. Vdekja e mbretit
46
Kur Jonatani e populli i dëgjuan këto fjalë, nuk u zunë besë as s’i pranuan, sepse u ranë ndër mend të
këqijat e mëdha që i kishte bërë mbi Izrael e sa mundime të mëdha u kishte shkaktuar. 47 Parapëlqyen
Aleksandrin, sepse ai i pari u kishte drejtuar marrëveshje paqeje, prandaj qëndruan vazhdimisht në
besëlidhje me të.
48
Atëherë mbreti Aleksandër bashkoi ushtri të madhe e u nis në luftë kundër Demetrit. 49 Dy mbretërit
ranë në luftë. Ushtria e Aleksandrit u thye. Demetri iu vu në shpinë dhe e mundi. 50 Lufta u ndez flakë deri
në perëndimin e diellit. Por, shi këtë ditë u vra Demetri.
Aleksandri martohet me Kleopatrën. Jonatani strateg e qeveritar
51
Atëherë Aleksandri dërgoi te Ptolemeu, mbreti i Egjiptit, kasnecë me këtë porosi: 52 ”Pasi u ktheva në
mbretërinë time, hipa në fronin e etërve të mi, e mora në dorë pushtetin, e asgjësova Demetrin, u bëra zoti
i tokës sonë, 53 nisa luftën me të, prej nesh u asgjësua ai edhe ushtria e tij, hipëm në selinë e mbretërisë së
tij, 54 tash të lidhim ndërmjet nesh miqësi: ma jep vajzën tënde për grua e unë do të bëhem dhëndri yt e do
të jap ty edhe asaj, dhurata të denja për ty.”
55
Mbreti Ptoleme i përgjigji kështu: “E bardhë dita, në të cilën u ktheve në tokën e etërve të tu e hipe në
stolin e mbretërisë së tyre! 56 Unë do të bëj ashtu si kërkon në letër, por hiq e eja në Ptolemaidë që të
shihemi e do të bëhem vjehri yt si kërkove.”
57
Ptolemeu me vajzën e vet Kleopatrën u nis nga Egjipti e erdhi në Ptolemaidë në vitin njëqind e
gjashtëdhjetë e dy. 58 Mbreti Aleksandër i doli përpara në takim. Ai ia dha vajzën e vet Kleopatrën. Dasmën
ia bëri në Ptolemaidë me madhëri të madhe siç u ka hije mbretërve.
59
Mbreti Aleksandër i shkroi Jonatanit të shkojë e të takohet me të. 60 Ky shkoi në Ptolemaidë madhërisht
dhe u takua me të dy mbretërit. U dha shumë argjend, ar e dhurata dhe fitoi hir në sytë e tyre. 61 Por, disa
izraelitë, njerëz të prishur, tradhtarë të Ligjit, u bashkuan kundër tij dhe e paditën. Por, mbreti s’u vuri
veshin. 62 Atëherë mbreti dha urdhër t’i hiqen Jonatanit petkat e tija e ta veshin me petka të purpurta. Ashtu
edhe u bë. Mbreti e uli të rrijë përngjat vetes 63 e u urdhëroi princave të vet: “Dilni me të nëpër qytet e
shpallni që askush të mos guxojë të qesë padi kundër tij për asnjë send e askush të mos goxojë ta trazojë
për asgjë!” 64 Kur ata që e paditnin panë nderin që po i jepej me shpallje të zëdhënësve dhe të veshur me
purpur, ikën të gjithë. 65 Mbreti i dha nder të madh, e shkroi ndër miqtë e vet të parë, e bëri udhëheqës të
ushtrisë e qeveritar të krahinës. 66 Kështu Jonatani u kthye në Jerusa- lem në paqe e gëzim.
Demetri II. Apoloni qeveritar i Celesirisë, i mundur nga Jonatani
67
Në vitin njëqindegjashtëdhjetedytë, erdhi Demetri, biri i Demetrit, nga Kreta në vendin e etërve të vet. 68
Kur dëgjoi mbreti Aleksandër, u prish shumë dhe u kthye në Antioki. 69 Demetri ia besoi qeverimin e
Celesirisë Apolonit siç e kishte pasur; ky bashkoi një ushtri të madhe, iu afrua Jamnisë dhe dërgoi t’i thonë
kryepriftit Jonatan:
“Vetëm ti je ngritur kundër nesh e për shkak tënd po më përqeshin e po më poshtërojnë. Pse ti po e
ushtron pushtetin tënd në male kundër nesh? 71 Nëse ti ke besim në fuqitë e tua, zbrit tash tek ne në fushë
dhe aty të matemi njëri me tjetrin, sepse me mua është fuqia e qyteteve. 72 Pyet e do të dish kush jam unë
e kush janë besëlidhësit tanë. Ata thonë: ‘Nuk do të mundeni të ngulni këmbë përballë nesh, sepse etërve
të tu dy herë u është dashur të marrin ikjen nga vendi i vet!’ 73 Kështu as tash nuk do të mund t’i bësh ballë
kalorësisë e këmbësorisë së tillë në fushë, ku s’ka shkëmb, as qetë e as vend të fshihesh.”
74
Kur Jonatani i dëgjoi fjalët e Apolonit, në zemër i gufoi felgrimi, i zgjodhi dhjetë mijë ushtarë e doli nga
Jerusalemi. Simoni, i vëllai, i erdhi në ndihmë. 75 E nguli fushimin kundruall Jopes. Qytetarët ia mbyllën
derën, sepse në Jope ishte roja e Apolonit. Këta ia nisën luftës. 76 Ata që ishin në qytet u trembën dhe ia
hapën derën e Jonatani e pushtoi Jopen. 77 Apoloni e mori vesh, çoi në këmbë tri mijë kalorës e një ushtri
të madhe. U nis drejt Azotit, kinse do të largohej,por menjëherë doli në fushë, sepse kishte shumë kalorës
e kishte në ta besim të madh. 78 Jonatani iu vu pas deri në Azot e ushtritë ranë në betejë. 79 Por, Apoloni i
la pas tyre të fshehur një mijë kalorës. 80 Jonatani u kujtua se e kishte pusinë pas shpine. Ata ia rrethuan
njësitë dhe e gjuajtën ushtrinë me shigjeta prej mëngjesit e deri në mbrëmje. 81 Ushtria qëndroi ashtu si i
kishte urdhëruar Jonatani e, ndërkaq, kalorësit e tij u lodhën. 82 Atëherë Simoni e qiti ushtrinë e vet dhe u
sul kundër ushtrisë së rreshtuar për luftim, pasi kalorësit ishin të lodhur.
Ata u thyen prej tij dhe ikën. 83 Po ashtu edhe kalorësit u shpërndanë nëpër fushë, ikën në Azot dhe u
ndrynë në Betdagon, në tempullin e idhullit të vet, për të gjetur shpëtim. 84 Atëherë Jonatani e dogji Azotin
edhe qytetet që ishin rreth tij, i bëri pre dhe e dogji tempullin e Dagonit me të gjithë ata që ishin strehuar
në të. 85 Rreth tetë mijë njerëz qenë të prerë me shpatë e të djegur në zjarr.
86
Jonatani çoi prej andej me ushtri e nguli fushimin para Askalonit. Qytetarët i dolën përpara me madhëri
të madhe. 87 Atëherë Jonatani u kthye në Jerusalem me njerëzit e vet të ngarkuar me pre të shumta. 88 Kur
mbreti Aleksandër dëgjoi për këto ngjarje, zuri ta nderojë edhe më shumë Jonatanin, 89 i dërgoi komçen e
artë, siç është doke t’u jepet kushërinjve të mbretit dhe ia dha për pronë Akaronin me të gjithë territorin e
tij.
70
Ptolemeu VI përkrah Demetrin II. Vdes ai dhe Aleksandër Balasi
Kap. 11
1
Mbreti i Egjiptit bashkoi një ushtri të madhe porsi rëra që është në buzë të detit. Gjithashtu, edhe shumë
anije e synonte ta mundë mbretërinë e Aleksandrit me dredhi dhe t’ia bashkojë mbretërisë së vet. 2 Shkoi
në Siri me fjalë paqeje. Të gjitha qytetet ia hapnin dyert e dilnin ta takonin me nderim, sepse mbreti
Aleksandër, kishte dhënë urdhër t’i dilnin përpara me nderim pasi Ptolemeu ishte vjehrri i tij. 3 Por, kur
hynte në qytete, Ptolemeu vendonte rojën ushtarake në çdo qytet. 4 Kur iu afrua Azotit, i dëftuan tempullin
e Dagonit të djegur, Azotin me rrethinat e tija të shkatërruar, kufomat e hedhura e të djegura nga Jonatani
në luftë: i kishin grumbulluar gjatë udhës së tij. 5 I treguan mbretit çfarë kishte bërë Jonatani me qëllim që
ta prozhmojnë; por mbreti heshtoi. 6 Në Jope Jonatani doli ta takojë mbretin me madhëri të madhe. U
përshëndetën dhe aty e kaluan natën. 7 Jonatani e përcolli mbretin deri te lumi që quhet Eleuter e pastaj u
kthye në Jerusalem.
8
Mbreti Ptoleme i pushtoi qytetet bregdetare deri te Seleucia e bregut të detit e sendërgjonte shestime të
këqija kundër Aleksandrit. 9 Atëherë dërgoi kasnecë te Demetri me këto fjalë: “Eja të bëjmë së bashku
godi. Unë do ta jap për grua bijën time që e ka për grua Aleksandri e do të sundosh mbretërinë e tyt et. 10
Jam pendua përnjëmend që ia dhashë bijën time për grua: ai dëshiron të më vrasë.” 11 Në të vërtetë iu shpif,
sepse dëshironte t’ia marrë mbretërinë. 12 E mori bijën e vet e ia dha Demetrit. Kështu ndërroi qëndrim
ndaj Aleksandrit e doli sheshi armiqësia e tyre. 13 Ptolemeu hyri në Antioki dhe u kurorëzua me dy
kurora - me atë të Egjiptit e të Azisë.
14
Mbreti Aleksandër aso here ndodhej në Cilici, sepse banorët e atyre krahinave ishin çuar në kryengritje.
15
Aleksandri mori vesh për këtë dhe erdhi të luftojë kundër tij. Ptolemeu u sul kundër tij me ushtri të
madhe dhe e vuri në ikje. 16 Aleksandri iku në Arabi për t’u strehuar atje, e Ptolemeu ngadhënjeu. 17 Arabi
Zabdiel ia preu kokën Aleksandrit e ia dërgoi Ptolemeut. 18 Pas tri ditësh vdiq mbreti Proleme. Qytetarët i
vranë rojet ushtarake që i kishte venduar në qyteza.
19
Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë u bë mbret Demetri.
Marrëdhëniet e para ndërmjet Demetrit II e Jonatanit
20
Ndër ato ditë Jonatani bashkoi njerëzit e Judëse për ta pushtuar Qytezën e Jerusalemit dhe shtiu në
përdorim shumë vegla luftarake. 21 Por, disa që e urrenin popullin e vet - njerëz të mbrapshtë - shkuan te
mbreti dhe i treguan se Jonatani e kishte rrethuar Qytezën. 22 Mbreti posa e dëgjoi këtë lajm, u zemërua e,
si e vërtetoi, menjëherë çoi ushtrinë dhe u kthye në Ptolemaidë. Jonatanit i shkroi të mos e mbajë në rrethim
Qytezën dhe të shpejtojë të shkojë në takim me të në Ptolemaidë për të biseduar. 23 Jonatani si e mori vesh,
urdhëroi të vazhdojë rrethimi, zgjodhi disa nga krerët e Izraelit e priftërinjtë, vuri edhe veten në rrezik, 24
mori argjend, ar, petka e dhurata të tjera të shumta e shkoi në Ptolemaidë te mbreti. Mbreti e priti mirë.
25
Disa njerëz të këqij të popullit të tij e paditnin, 26 por mbreti u soll me të siç u sollën paraardhësit e tij: e
madhëroi para të gjithë miqve të vet, 27 ia përforcoi kryepriftësinë dhe të gjitha nderimet që i kishte pasur
më para dhe e bëri të parin ndër miqtë e vet më të mirë.
28
Jonatani kërkoi prej mbretit ta shkarkojë Judenë e tri krahinat e Samarisë nga detyra e tatimeve dhe iu
zotua t’i japë treqind talenta. 29 Mbreti pranoi dhe mbi të gjitha këto i shkroi Jonatanit një letër me këtë
përmbajtje:
Dokument i ri në të mirë të judenjve
30
“Mbreti Demetër vëllait Jonatan e popullit të Judesë, shëndet! 31 Dysheritjen e letrës që ia shkruam
kushëririt tonë Lastenit, që ka të bëjë me ju, ju shkruam edhe juve që të jeni në dijeni:
32
‘Mbreti Demetër, t’et Lastenit, shëndet!
33
Për shkak të sjelljes së tyre të mirë ndaj nesh, kemi vendosur t’i bëjmë mirë popullit të Judesë, që janë
miqtë tanë e sillen ndaj nesh më drejtësi. 34 Ua caktuam, prandaj, për pronë dheun e Judesë dhe tri krahinat:
Aferemën, Lidën e Ramataimin, të cilat i kanë qenë dhënë Judesë nga Samaria, me të gjitha pronat e tyre,
në të mirën e të gjithë atyre që kushtojnë fli në Jerusalem, në vend të të marrave mbretërore, të cilat
mbretëria i nxirrte më parë prej tyre çdo vit prej prodhimeve të tokës e të pemëve. 35 Lidhur me të drejtat
tona të tjera në të dhjeta e tatime, në kripore e në paga të kurorës, që me sot të gjitha po ua falim. 36 Kurrnjë
nga këto vendime nuk do të zhbëhet qysh sot e më tutje.
37
Kujdesohuni, pra, ta shkruani një dysheritje të kësaj letre, t’i jepet Jonatanit dhe të vihet në Malin e
shenjtë në vend të dukshëm.’”
Ushtria e Jonatanit i ndihmon Demetrit II në Antioki
38
Kur mbreti Demetër pa se nën sundimin e tij mbarë vendi ra në paqe dhe se askush nuk i kundërshtonte,
e lëshoi tërë ushtrinë e vet, çdo njësi në vendin e vet, me përjashtim të njësiteve të huaja që i kishte marrë
me pagesë nga ishujt e paganëve. Për këtë arsye e urryen të gjitha njësitet e etërve të vet. 39 Ndërkaq,
Trifoni, që më parë ishte në anën e Aleksandrit, kur pa se të gjitha njësitet ushtarake të Demetrit nynykatnin
kundër tij, shkoi te arabi Imalkue, i cili kujdesej për mirërritjen e Antiokut, birit të Aleksandrit. 40 Nuk ia
ndau lutjen t’ia japë për ta vënë mbret në vend të t’et. I tregoi gjithçka kishte bërë Demetri e se njësitet e
ushtrisë ishin armiqësuar me të. Aty qëndroi për shumë kohë.
41
Ndërkohë Jonatani kërkoi prej mbretit Demetër t’i tërhiqte ushtarët që ishin në Qytezë, në Jerusalem, si
edhe të tjerët që ishin në qyteza të tjera, sepse ishin vazhdimisht në luftë me izraelitët. 42 Demetri i përgjigji
Jonatanit: “S’do të bëj vetëm kaq për ty e popullin tënd, por posa ta gjej rastin e volitshëm, do të të mbuloj
ty e popullin tënd me nderime. 43 Tash për tash do të bëje punë të mirë, nëse do të m’i dërgosh në ndihmë
disa njerëz të tu, sepse të gjitha ushtritë e mia më lanë në rrenë.” 44 Jonatani ia dërgoi në Antioki tri mijë
ushtarë të zgjedhur. Këta arritën te mbreti e mbreti iu gëzua ardhjes së tyre. 45 U bashkuan ata që ishin në
qytet, njëqind e njëzet mijë vetë, me qëllim që ta vrasin mbretin. 46 Mbreti u ndrye në pallat. Ndërkaq
qytetarët i zunë rrugët e qytetit dhe ia filluan sulmit. 47 Mbreti i thirri në ndihmë judenjtë. Të gjithë u
bashkuan me të për t’u shpërndarë nëpër qytet. Atë ditë i vranë njëqind mijë njerëz. 48 I dhanë zjarr qytetit,
morën pre të madhe dhe e shpëtuan atë ditë mbretin. 49 Kur ata të qytetit panë se judenjtë e pushtuan qytetin
ashtu si kishin synuar, zemra i lëshoi dhe iu lutën mbretit: 50 “Na e shtrij të djathtën e le të zënë vend
judenjtë të luftojnë kundër nesh e kundër qytetit!” 51 Ata i dorëzuan armët e bënë paqe. Judenjtë fituan nder
të madh para mbretit dhe para të gjithë atyre që i përkisnin mbretërisë së tij. I dhanë nder vetvetes në
mbretërinë e tij dhe u kthyen në Jerusalem me pre të madhe. 52 Mbreti Demetër hipi përsëri në fronin e
mbretërisë së vet dhe vendi nën sundimin e tij gëzoi qetësi. 53 Por, u ra mohit të gjitha fjalëve që kishte
dhënë, i prishi marrëdhëniet me Jonatanin, s’ia pranoi më atij meritat e tija, por i shkaktoi hidhërime të
shumta.
Jonatani kundër Demetrit II. Simoni pushton Betsurën. Beteja e Asorit
54
Pas këtyre ngjarjeve u kthye Trifoni bashkë me Antiokun, ende krejt i ri, i cili mori mbretërinë në sundim
dhe u kurorëzua me kurorë mbretërore. 55 Të gjitha njësitet e ushtrisë që i shpërndau Demetri u bashkuan
rreth tij, dhe nisën të luftojnë kundër Demetrit, i cili u ktheu shpinën e iku. 56 Trifoni i zuri elefantët dhe e
pushtoi Antiokinë.
57
Antioku i mitur i shkroi kështu Jonatanit: “Ta përforcoj kryepriftërinë, të caktoj parinë e katër krahinave
e të emëroj ndër miqtë e mbretit.”
58
I dërgoi enë të arta, një servis për tryezë, lejen të pijë me kupa të arta, të veshet me purpur e të mbartë
komçe të arta. 59 Të vëllanë e tij Simonin e caktoi prijës që nga Shkalla e Tirit e deri në kufij të Egjiptit.
60
Jonatani doli të qarkullojë krahinën e Përtejlumit dhe qytetet. Mbarë ushtria e Sirisë u bashkua me të për
t’i ndihmuar. Mbërrijti në Askalon e qytetarët i dolën para me nderime të mëdha. 61 Prej andej shkoi në
Gazë, por njerëzit e Gazës ia mbyllën derën. Qytetin e rrethoi Jonatani, rrethinat i dogji dhe i bëri pre.
62
Atëherë ata që Gazës iu përlutën Jonatanit, ky bëri paqe me ta e krerëve të tyre u mori peng të bijtë dhe
i dërgoi në Jerusalem. Atëherë vazhdoi ta qarkullojë krahinën deri në Damask.
63
Jonatani e mori vesh se prijësit e ushtrisë së Demetrit kishin ardhur në Kades të Galilesë me një ushtri
të madhe me qëllim që ta heqin nga detyra. 64 Të vëllanë Simonin e la në krahinë e vetë shkoi të ndeshet
në luftë me ta. 65 Simoni e rrethoi Betsurën, e sulmoi për një kohë të gjatë duke e mbajtur në rrethim.
66
Qytetarët i shtrinë dorën e pajtimit e Simoni pranoi. Atëherë ata i dëboi nga andej e në qytet vendoi
njësitin e rojës.
67
Ndërkohë Jonatani me ushtrinë e vet kishte ngulur fushimin te Ujërat e Genesarit e në mëngjes heret
arritën në rrafshin e Asorit. 68 Dhe, ja, ushtria e të huajve u nis fushës t’i dalë përpara pasi në male kishte
vënë pusi. Ndërkohë që ushtria po ecte rrafshit, 69 njerëzit nga pusitë dolën prej pritave e u sulën në luftë.
70
Të gjithë ata që ishin me Jonatanin ikën, asnjë prej tyre s’u ndal me përjashtim të Matatisë, birit të
Absalomit e të Judës, birit të Kalfit, komandantit të ushtrisë. 71 Jonatani i shqeu petkat e veta, mori pluhur
e qiti në krye dhe u lut. 72 Atëherë u kthye të luftojë kundër tyre, i theu dhe i vuri në të ikur. Ata ikën. 73 Kur
të tijtë që kishin ikur panë ç’ndodhi, u kthyen tek ai dhe bashkë me të i ndoqën deri në Kades, ku e kishin
fushimin; e edhe ata ngulën fushimin aty. 74 Atë ditë prej ushtrisë së të huajve ranë tri mijë ushtarë. Jonatani
u kthye në Jerusalem.
Marrëdhëniet e Jonatanit me Romë e me Spartë
Kap. 12
1
Si pa Jonatani se po i kishte rrethanat e volitshme, i zgjodhi disa vetë dhe i dërgoi në Romë për ta
rivendosur e ripërtëritur miqësinë. 2 Dërgoi po ashtu letra edhe në Spartë e në vende të tjera po me të njëjtën
përmbajtje. 3 Njerëzit shkuan në Romë, hynë në senat e thanë: “Kryeprifti Jonatan e populli judeas na
dërguan ta rivendosim e ta ripërtërijmë miqësinë dhe besëlidhjen si atë të mëparshmen.” 4 Ata u dhanë
letra porosie për pushtete të vendeve të ndryshme që t’u ndihmojnë të kthehen në paqe në vendin e Judës.
5
Ja dysheritja e letrës që Jonatani u shkroi spartanëve:
6
“Kryeprifti Jonatan, pleqtë e kombit, priftërinjtë dhe populli tjetër judeas spartanëve vëllezër, shëndet!
7
Edhe më parë Ariu që sundonte ndër ju, i ka dërguar letër kryepriftit Oni se jeni vëllezërit tanë, siç e
përmban shkresa, të cilën po e bashkangjesim. 8 Onia e pranoi me nderime njeriun që kishte qenë dërguar,
i pranoi letrat në të cilat flitej për besëlidhje e miqësi. 9 Ne, pra, megjithëse nuk kemi nevojë, pasi në dorë
i kemi për ngushëllimin tonë librat e shenjtë, 10 u përpoqëm të dërgojmë tek ju me qëllim që ta ripërtërijmë
vëllazërinë e miqësinë që të mos bëhemi të huaj prej jush, sepse ka kaluar një kohë e gjatë qysh prej
dërgatës suaj. 11 Ne, veç në çdo kohë, pa ndërprerje, në ditë të të kremteve e të tjera kur lypet, ju kujtojmë
në fli që kushtojmë e në përlutje, si është e drejtë dhe ka hije të kujtohen vëllezërit. 12 I gëzohemi lavdisë
suaj. 13 Rreth nesh janë shumuar vështirësitë e luftërat e shumta, po na luftojnë mbretërit fqinjë. 14 Ndër
këto luftëra nuk kemi dashur t’ju mërzisim juve e besëlidhësit e të tjerë e miqtë tanë, 15 sepse kemi ndihmën
e Qiellit, që na gjendet në ndihmë e me anën e tij qemë liruar nga armiqtë tanë e ata qenë mposhtur.
16
Këndej edhe zgjodhëm Numenin, birin e Antiokut, e Antipatrin, birin e Jasonit, dhe i dërguam te romakët
që ta ripërtërijmë besëlidhjen e miqësinë e mëparshme. 17 Atyre gjithashtu u urdhëruam të vijnë te ju, t’ju
përshëndesin e t’ju sjellin letrën tonë që ka të bëjë me ripërtëritjen e vëllazërisë sonë. 18 Do të bëshit shumë
mirë nëse na përgjigjni përkitazi me këtë gjë.”
19
Ja dysheritja e letrës që ata ia kishin dërguar Onisë:
20
“Ariu, mbreti i spartanëve, kryepriftit Oni, shëndet!
21
Në një shkresë u gjend përsa u përket spartanëve e judenjve se janë vëllezër e se rrjedhin prej barkut të
Abrahamit. 22 Tash, pasi u zbulua kjo, do të bëshit mirë nëse na shkruani për mirëqenien tuaj. 23 Ne,
ndërkaq, po ju shkruajmë: Bagëtitë tuaja e kamja juaj, janë tonat e, gjithçka kemi ne, janë tuajat. Kemi
dhënë urdhër që t’jua sjellim këtë porosi.”
Jonatani në Celesiri e Simoni në Filiste
24
Jonatanit i erdhi lajmi se gjeneralët e Demetrit ishin kthyer me ushtri edhe më të madhe se më parë për
të luftuar kundër tij. 25 E la Jerusalemin dhe u doli përballë në krahinën e Amatit. Nuk deshi t’i lërë të hyjnë
në tokën e tij. 26 Dërgoi vrojtës në fushimin e tyre. Ata u kthyen dhe e njoftuan se mendonin t’i sulmojnë
natën. 27 Me të perënduar të diellit, Jonatani u urdhëroi të vetëve të rrinë zgjuar e të ngjeshur në armë gjithë
natën të gatshëm për luftim. Rreth e rreth fushimit caktoi pararojën.
28
Edhe kundërshtarët e morën vesh se Jonatani me të vetët ishte i gatshëm për luftim, i kapi frikë e madhe,
i lëshoi zemra dhe ndezën zjarre në fushimin e tyre. 29 Porse Jonatani e ata që ishin me të nuk ditën gjë deri
në mëngjes se kishin ikur, sepse i shihnin zjarret e ndezura. 30 Atëherë Jonatani u vu t’i përndjekë, por nuk
i zuri: e kishin pasë kaluar lumin Eleuter. 31 Prej andej Jonatani u soll kundër arabëve që quhen Zabadenj,
i goditi rëndë dhe mori prenë. 32 Pastaj i bashkoi të vetët e shkoi në Damask e zuri ta përshkojë mbarë atë
krahinë. 33 Edhe Simoni doli e shkoi deri në Askalon e në kështjella të afërme, u kthye kundër Jopës dhe e
pushtoi.
34
E njëmend, kishte marrë vesh se dëshironin ta dorëzojnë qytezën në dorë të tradhtarëve të Demetrit. Në
të vendoi njësitin e vet për ta ruajtur.
Punime në Jerusalem
35
Jonatani u kthye dhe i mblodh krerët e popullit. Me ta u këshillua për ndërtim të qytezave nëpër Jude 36
e për t’i lartësuar muret e Jerusalemit si edhe për të ngritur një mur të lartë ndërmjet Qytezës e qytetit.
Donte ta ndajë Qytezën prej qytetit, ta vetëmojë, kështu që ata të Qytezës të mos munden as të blejnë as të
shesin. 37 U morën vesh ta ndërtojë qytetin: ishte shembur një pjesë e murit mbi përruan, në krahun e
lindjes. E rindërtoi lagjen që quhet Kafernatë. 38 Simoni ndërtoi Adidën në Sefelë, e fortifikoi dhe i vuri
dyert e shulat.
Jonatani bie në duart e armiqve të vet
39
Ndërkaq Trifoni synonte të bëhej mbreti i Azisë, të stolisej me kurorë mbretërore e të çojë dorë kundër
mbretit Antiok. 40 Meqenëse trembej se Jonatani do ta pengonte e, në këtë rast, do t’i shpallte luftë, pleqëroi
ta kapë e ta vrasë. Këndej u çua e shkoi në Betsan. 41 Po edhe Jonatani i doli para me dyzet mijë ushtarë të
zgjedhur për ta luftuar. Edhe ky arriti në Betsan. 42 Kur Trifoni pa se erdhi me ushtri të madhe, u tremb të
çojë dorë kundër tij. 43 Madje e priti me nderime të mëdha dhe ua porositi të gjithë miqve të vet. I dha
mandej dhurata dhe ushtrive të veta u urdhëroi ta dëgjojnë porsi atë. 44 Jonatanit i tha: “Po përse i ke trazuar
të gjithë këta njerëz pasi ndërmjet nesh nuk kemi luftë? 45 Tash nisi të shkojnë në shtëpitë e veta. Zgjidhi
disa burra që të të përcjellin dhe eja me mua në Ptolemaidë. Do ta dorëzoj atë qytet dhe kështjellat e tjera,
ushtrinë tjetër si edhe zyrtarët e të gjithë të tjerët e atëherë unë do të largohem: për këtë arsye edhe erdha.”
46
Jonatani i besoi e bëri si i tha. Lëshoi ushtrinë që shkoi në Jude. 47 Me vete ndali tri mijë burra. Edhe prej
këtyre dy mijë i dërgoi në Galile e vetëm një mijë shkuan me të. 48 Porse, posa Jonatani hyri në Ptolemaidë,
qytetarët i mbyllën dyert, e kapën atë e të gjithë ata që kishin hyrë bashkë me të dhe i prenë me shpatë.
49
Trifoni atëherë dërgoi këmbësorë e kalorës në Galile edhe në Fushën e Madhe për t’i vrarë të gjithë
besëlidhësit e Jonatanit. 50 Por, ata, posa morën vesh se Jonatani qe kapur dhe sharroi, ai e të gjithë ata që
kishin qenë me të, i dhanë zemër njëri-tjetrit e u nisën të lidhur grushtë, të gatshëm për luftë. 51 Kur
ndjekësit panë se kishin vendosur të luftojnë për jetë ose për vdekje, u kthyen prapazi. 52 Kështu të gjithë
u kthyen pa farë shqetësimi në Jude. I bënë gjëmë Jonatanit e atyre që kishin qenë me të dhe i kapi një frikë
e madhe. Mbarë Izraeli u vesh në zi.
53
Të gjitha kombet që ishin përreth tyre, kërkonin se si t’ua tresin farën. Njëmend u thoshte mendja: 54
“S’kanë prijës ndihmëtar! Të sulemi tash në luftë kundër tyre e ta çrrënjosim prej njerëzve kujtimin e tyre!”
V. SIMONI KRYEPRIFT E PRIJËS I JUDENJVE /143 - 134 para Kr./
Simoni merr komandën
Kap. 13
1
Simoni e mori vesh se Trifoni kishte
mbledhur një ushtri të madhe për të shkuar në dheun e Judës e për ta pushtuar. 2 Duke parë se popullin e
kishte pushtuar frikë e madhe, u ngjit në Jerusalem, e bashkoi popullin 3 dhe i dha zemër. U tha: “Ju e dini
mirë se sa kemi bërë unë, vëllezërit e mi dhe mbarë shtëpia e tim et për Ligjin e për vendet e shenjta si dhe
luftërat e vështirësitë që i kemi sprovuar. 4 Për këtë arsye kanë vdekur vëllezërit e mi, të gjithë u vranë për
Izraelin e kam mbetur vetëm unë. 5 E tash Zoti mos e thëntë ta kursej jetën time në ditët e vështirësisë: unë
nuk jam më i mirë se vëllezërit e mi. 6 Madje do të bëj çmos që ta ahmarr popullin tim, Vendin e shenjtë,
gratë e fëmijët tuaj, sepse janë bashkuar mbarë paganët të na e tresin farën, sepse na urrejnë.”
7
Me të dëgjuar këto fjalë, popullit iu ndez flakë shpirti 8 dhe përgjigji me zë të madh e tha: “Ti je prijësi
ynë në vend të Judës e të Jonatanit, vëllait tënd. 9 Luftoje luftën tonë e ne do të bëjmë gjithçka të na thuash!”
10
Atëherë i mblodhi të gjithë njerëzit e aftë për luftë, shpejtoi rindërtimin e mureve të Jerusalemit dhe e
forcoi gjithkund përreth. 11 Atëherë e dërgoi Jonatanin, birin e Absalomit, me një ushtri të madhe në Jopë.
Ky i dëboi ata që ishin në të, e në të nguli vetë.
Simoni e dëbon Trifonin nga Judeja
12
Trifoni u nis nga Ptolemaida me një ushtri të madhe për të ardhur në dheun e Judës. Me të ishte edhe
Jonatani rob lufte. 13 E Simoni erdhi atëherë edhe u fushua te Adida kundruall rrafshinës. 14 Trifoni kur e
mori vesh se Simoni ishte ngritur prijës në vend të të vëllait Jonatan dhe se donte të luftonte kundër tij,
dërgoi tek ai lajmëtarë 15 me këto fjalë: “Për arsye të argjendit që yt vëlla Jonatani ia ka borxh vishtarit të
mbretit për shërbesat që ka mbarështuar e mbajmë peng. 16 Dërgoj tash njëqind talenta argjendi edhe dy
djemtë e tij peng, që kur ta kemi çliruar, të mos ikë prej nesh. Atëherë do ta lëshojmë të lirë.”
17
Megjithëse Simonit ia merrte mendja se po flisnin me dredhi, megjithatë dërgoi të merren njëqind talenta
të argjendtë e dy djemtë që të mos sjellë mbi vete armiqësi të madhe nga ana e popullit, 18 që do të mund
të thoshin: “U vra pse nuk i dërgoi argjendin e djemtë!” 19 Ia dërgoi, pra argjendin edhe djemtë. Ai rrejti e
nuk e lëshoi Jonatanin. 20 Pas këtyre, Trifoni çoi me ushtri për ta pushtuar vendin e për ta shkretuar. U
drejtua rrugës që shpie në Adorë. Simoni me ushtrinë e vet e ndiqte gjithkund ai shkonte. 21 Ata që ishin
në Qytezën i dërguan lajmëtarë Trifonit të shkonte tek ata nëpër shkretëtirë sa më parë për t’u sjellë
ushqime. 22 Trifoni e bëri gati mbarë kalorësinë e vet për të shkuar atje, por atë natë ra borë e madhe shumë
e nuk shkoi për shkak të borës, por u largua e shkoi në Galaad.
23
Kur iu afrua Baskamës, e vrau Jonatanin dhe aty e varrosi. 24 Atëherë u kthye e u nis për vendin e vet.
Jonatani varroset në mauzoleun e Modinit të ndërtuar prej Simonit
25
Simoni dërgoi të merren eshtrat e Jonatanit, vëllait të vet dhe e varrosi në Modin, në qytetin e etërve të
vet.
26
Mbarë Izraeli e vajtoi me vaj të madh dhe i bënë gjëmë shumë ditë. 27 Simoni e mbilartësoi varrin e t’et
e të vëllezërve dhe e punoi bukur të lartë për t’u parë me gurë të lëmuar përpara e pas. 28 Mandej vendoi
shtatë piramida, njërën përballë tjetrës: për të atin, t’ëmën e katër për vëllezërit. 29 U punoi bazat, i rrethoi
me shtylla, në shtylla, në kujtim të përhershëm, vendoi armët, përngjat armëve gdhendi anije që të shiheshin
prej lundëruesve në det. 30 Ky është mauzoleu që e ndërtoi në Modin e është edhe sot e kësaj dite.
Dhuratat e Demetrit II dhënë Simonit
31
Trifoni sillej me pabesi ndaj Antiokut, mbretit ende të ri dhe e vrau. 32 U bë mandej mbret në vend të tij.
Vuri në kokë kurorën mbretërore të Azisë e bëri kërdi të madhe në vend. 33 Ndërkaq, Simoni i rindërtoi
kështjellat nëpër Jude, i fortifikoi me pirgje të larta, me mure të mëdha, me dyer e me shula. Në qyteza
grumbulloi ushqime. 34 Simoni zgjodhi disa njerëz e i dërgoi te mbreti Demetër për t’ia falë vendit pagesat,
sepse Trifoni s’kishte bërë tjetër pos grabitje.
35
Demetri mbret i përgjigji me shkrim e i dërgoi këtë letër:
36
“Demetri mbret, Simonit kryeprift dhe mikut të mbretërve, krerëve e popullit të judenjve, shëndet!
37
E morëm kurorën e artë e gemin e palmës që na e keni dërguar. Jemi të gatshëm të lidhim me ju një paqe
të qëndrueshme dhe t’u shkruajmë zyrtarëve të mbretit që t’ua falin ngarkimet. 38 Gjithçka ju kemi pasë
caktuar duhet të mbesë në fuqi. Kështjellat që ju i keni ndërtuar, janë tuajat. 39 Jua falim mungesat e
kundërvajtjet e gjertashme dhe kurorën që na e keni detyrë. Po edhe në qoftë se është mbledhur ndonjë
tatim në Jerusalem, të mos kërkohet më. 40 Nëse ndokush prej jush është i aftë të shkruhet në rojën time
trupore, le të shkruhet e paqja mbretëroftë mes nesh!”
41
Në vitin njëqind e shtatëdhjetë u hoq zgjedha e paganëve prej Izraelit. 42 Populli i Izraelit në aktet botore
e në gode nisi të shkruajë: “Viti i parë nën kryepriftin e shquar Simonin, prijësin e princin e judenjve.”
Simoni e pushton Gazarën
43
Ndër ato ditë Simoni nguli fushimin para Gazarës dhe e rrethoi me njësitë ushtarake. Punoi një kullë
lëvizëse, iu afrua qytetit, e sulmoi një kullë të saj dhe e pushtoi. 44 Ata që ishin në kullën lëvizëse dolën
jashtë në qytet. Në qytet u bë pështjellim i madh. 45 Qytetarët me gra e me fëmijë hipën mbi mure, i shqyen
petkat, britnin me zë të madh duke kërkuar paqe prej Simonit. 46 I thanë: “Mos u sill me ne sipas të këqijave
tona, por sipas mëshirës sate!” 47 Simoni i dëgjoi e nuk i luftoi më gjatë, por i dëboi prej qytetit, i pastroi
shtëpitë në të cilat kishin mbajtur idhujt e atëherë hyri duke kënduar e duke falënderuar. 48 E, pasi hoqi çdo
ndotësi, në të i vendoi njerëzit që do ta kryenin Ligjin, e fortifikoi dhe aty ndërtoi banesën e vet.
Simoni pushton Qytezën e Jerusalemit
49
Meqenëse ata që ishin në Qytezë të Jerusalemit nuk kishin leje të dalin e shkojnë nëpër vend për të blerë
e shitur, i kapi uri e madhe e shumë prej tyre vdiqën nga uria. 50 Kërkuan nga Simoni të bëjnë paqe. Ai
pranoi, por i dëboi nga andej dhe e pastroi Qytezën nga përdhunimi. 51 Atëherë hynë në të më njëzet e tre
të dytit muaj të vitit njëqind e shtatëdhejte e dy me brohoritje, me palma, me tinguj lirash, cimbalësh e
harpash, me këngë lavdie e hareje, sepse u çrrënjos një armik i madh nga Izraeli. 52 Simoni caktoi që çdo
vit këto ditë të festohen me hare. 53 E fortifikoi Malin e Tempullit që ishte përballë Qytezës dhe aty banoi
me të vetët.
54
Kur Simoni pa se i biri, Gjoni, ia arriti moshës burrërore, e vuri kamandant të të gjitha forcave ushtarake.
Ky e nguli selinë e vet në Gazarë.
Lavdërim në nder të Simonit
Kap. 14
1
Në vitin njëqind e shtatëdhejtë e dy mbreti Demetër bashkoi ushtrinë e vet e shkoi në Medi për të
grumbulluar ndihma që të luftojë Trifonin. 2 Arsaku, mbreti i Persisë e i Medisë, mori vesh se Demetri
kishte hyrë në territor të tij, e dërgoi njërin nga prijësit e ushtrisë së vet për ta zënë gjallë. 3 Ky shkoi dhe e
shpartalloi ushtrinë e Demetrit e Demetrin e kapi gjallë dhe e çoi tek Arsaku, i cili e ndryu në burg.
4
Vendi gëzoi qetësi gjatë gjithë jetës së Simonit.
Ky kërkoi të mirën e popullit të vet,
pushteti i tij u pëlqeu të vetëve,
edhe lavdia e tij gjatë gjithë jetës së tij!
5
Përveç veprave të tija të lavdishme
e pushtoi Jopen e port e bëri,
hapi derën për ishujt e detit.
6
I shtriu kufijtë e popullit të vet
dhe e rifitoi vendin e vet.
7
Grumbulloi me shumicë robër,
pushtoi Gazarën, Betsurën e Qytezën,
i dëliri ndotësitë prej vendit:
e askush s’mundi ballë t’i bëjë.
8
Gjithkush tokën në qetësi e punonte,
toka i jepte prodhimet e veta,
pemët e fushës frutat e veta.
9
Pleqtë rrinin ngeshëm në sheshe,
bisedonin të gjithë për mirëqenie,
të rinjtë u veshnin me petka të ndritshme
të mbërthyer ecnin me armë luftërash.
10
Qyteteve u grumbullonte ushqime,
i frotifikoi me mjete mbrojtjeje,
sa që emri i lavdisë së tij
arriti der në skaje të botës.
11
Bëri në vend paqja të mbretërojë:
Izraeli u gëzua me hare të madhe.
12
Rrinin njerëzit nën hardhi të vet
e nën hijen e fikut të vet
e askush nuk i trazonte.
13
U çlirua vendi nga kundërshtarët,
në ato ditë mbretërit sharruan.
14
Ngushëlloi të përvujtit e popullit të vet,
zbatoi Ligjin, zhduki të keqin e të
patenzonin.
15
Me shkëlqim e stolisi Tempullin,
e pasuroi me enë të shumta.
Përtëritja e besëlidhjes me Spartë e me Romë
16
U hap lajmi në Romë e deri në Spartë se kishte vdekur Jonatani. U pikëlluan shumë. 17 Kur mandej e
morën vesh se Simoni, vëllai tij, ishte bërë në vend të tij kryeprift e se e sundonte vendin dhe qytetet e tija,
18
i shkruan në pllaka bronzi që ta ripërtërijë me ta miqësinë e besëlidhjen, që më parë i kishin lidhur me
vëllezërit e tij Judën e Jonatanin. 19 Leximi i tyre u bë para kuvendit të dheut në Jerusalem.
Ja dysheritja e letrës që e dërguan spartanët:
20
“Paria e spartanëve si edhe Qyteti, Simonit, kryepriftit, parisë e priftërisë si dhe mbarë popullit tjetër të
judenjve, vëllezërve, shëndet.
21
Kasnecët që i keni dërguar te populli ynë, na lajmëruan për lumturinë tuaj e nderin dhe ardhja e tyre na
kënaqi shumë.
22
Fjalët e tyre që i thanë në këshillin e popullit i kemi shkruar kështu: ‘Numeni i Antiokut e Antipatri, biri
i Jasonit, të dërguarit e judenjve, erdhën te ne për të ripërtëritur me ne miqësinë.’ 23 Popullit i pëlqeu t’i
pranojë këta njerëz me nderime e ta shënojë dysheritjen e bisedave të tyre në librat e veçantë të popullit që
të jenë në kujtim për popullin spartan. Një dysheritje e shkruam për kryepriftin Simon.”
24
Pas kësaj Simoni dërgoi Numenin në Romë me një shqyt të artë të madh të rëndë një mijë mna, për të
bërë me ta besëlidhje.
Urdhëresë botore në nder të Simonit
25
Kur populli u vu në dijeni lidhur me këto ngjarje, tha: “Si t’i falënderohemi Simonit e bijve të tij? 26
Sepse u dëftua i patrandshëm ai e vëllezërit e tij e shtëpia e babës së tij, sepse, duke i luftuar, i dëboi armiqtë
e Izraelit larg tij e ia solli lirinë.” Kështu shkruan një tekst në pllaka të bronzta e i vunë në shtylla në Malin
Sion. 27 Ja teksti i mbishkrimit:
“Më tetëmbëdhjetë të muajit Elul të vitit njëqind e shtatëdhejtë e dy, që është viti i tretë i Simonit, priftit të
madh, në Asaramel, 28 në kuvendin e dheut të prifërinjve, popullit, prijësve të popullit dhe të parisë së
vendit, na qe shpallur sa vijon:
29
Pasi shumë herë u bënë luftëra në krahinë, Simoni, biri i Matatisë, pasardhës i bijve të Joaribit, edhe
vëllezërit e tij, e vunë veten në rrezik, u bënë ballë armiqve të kombit që të ruanin Shenjtëroren e vet dhe
Ligjin dhe i sollën popullit të vet lavdi të madhe. 30 Jonatani e bashkoi popullin e vet, u bë kryeprift e pastaj
pushoi në gjirin e popullit të vet. 31 Armiqtë e tyre deshën ta pushtojnë vendin e ta shtrijnë dorën e vet
kundër Shenjtërores së tyre. 32 Atëherë Simoni u ngrit kundër tyre, luftoi për popullin e vet. Shpenzoi
shumë të holla, i armatosi trimat e fortë të kombit të vet dhe u dha rrogat. 33 I fortifikoi qytetet e Judesë si
edhe Betsurën që ishte në kufijtë e Judesë, ku më parë ishin armët e armikut dhe aty e vendosi njësitin rojës
të përbërë prej judenjve. 34 E fortifikoi edhe Jopën që ishte në bregun e detit, Gazarën që është në kufijtë e
Azotit, ku më parë banonin armiqtë, Aty vendoi judenjtë dhe u la gjithçka u lypej për jetesë e mbrojtje.
35
Populli e pa besnikërinë e Simonit dhe lavdinë, të cilën mendonte ta sillte mbi popullin e vet. Populli e
vuri prijës të vet edhe e bëri kryeprift, sepse ai i kishte bërë të gjitha këto e për shkak të drejtësisë e të
besnikërisë që e ushqeu ndaj kombit të vet e pse bëri çmosin për ta lartësuar popullin e vet. 36 Në ditët e
tija me zotësinë e tij ia doli t’i çrrënjosë nga vendi i tyre paganët, si edhe ata që ishin në Qytetin e Davidit,
në Jerusalem, të cilët e kishin punuar për vete fortesë, nga e cila dilnin e përdhosnin gjithçka që ishte rreth
Shenjtërores duke bërë ndotje të madhe pastërtisë së saj. 37 Në të i vendosi judenjtë, e fortifikoi për
mbrojtjen e krahinës e të qytetit edhe i lartësoi muret e Jerusalemit.
38
Për këtë arsye edhe mbreti Demetër ia dha kryepriftërinë, 39 e bëri mikun e vet dhe e nderoi me nder të
madh. 40 Mbreti kishte marrë vesh se romakët i quanin hebrenjtë miq, vëllezër e besëlidhës dhe se i kishin
pritur kasnecët e Simonit me nderime të mëdha; 41 si edhe hebrenjtë e priftërinjtë kishin pranuar me ëndje
t’u jetë ai udhëheqës e kryeprift përgjithmonë deri të dalë ndonjë profet besnik, 42 po ashtu të jetë edhe
prijësi i tyre, ta ketë në kujdes Tempullin, për sundimin e vendit, për armë e për qyteza. Le të kujdeset për
Shenjtërore. 43 Ta dëgjojnë të gjithë. Në emër të tij të shkruhen të gjitha aktet zyrtare. Të vishet me purpur
e të mbartë stoli ari. 44 Të mos guxojë të vërë në dyshim as të mos dëgjojë askush as prej popullit as prej
priftërinjve ndonjë send prej këtyre ose të kundërshtojë ndonjë gjëje që prej tij thuhet. Pa leje të tij askush
të mos guxojë të thërrasë mbledhje në krahinë as të mbartë purpur as të mbërthejë kopçe të artë: 45 Kush të
bëjë ndonjë send jashtë këtyre rregulloreve ose ta prishë ndonjë prej këtyre, do të jetë fajtor.
46
Mbarë popullit i pëlqeu t’i jepet Simonit e drejta të veprojë sipas këtyre vendimeve. 47 Edhe Simoni prej
anës së vet pranoi të jetë kryeprift, udhëheqës dhe prijës i popullit të Judesë e i priftërinjve, të jetë në krye
të të gjithëve.”
48
Këtë shkresë vendosën ta gdhendin në pllaka të bronzta e të vendohet në tremen e Shenjtërores në një
vend të përshtatshëm, 49 kurse dysheritjet e tyre të vendohen në vishtar që t’i kenë në përdorim Simoni me
të bijtë.
Letra e Antiokut VII dhe rrethimi i Dorës
Kap. 15
1
Mbreti Antiok, biri i Demetrit, i dërgoi nga Ishujt e detit, Simonit kryeprift e prijësit të popullit judeas
dhe mbarë popullit një letër 2 me këtë përmbajtje:
“Mbreti Antiok Simonit kryeprift e prijësit të popullit judeas, si dhe popullit të Judesë, shëndet! 3 Pasi disa
të poshtër e pushtuan mbretërinë e etërve tanë, kam vendosur ta kthej mbretërinë e ta kthej ashtu si ka qenë
më parë. Kam mbledhur një ushtri të fortë dhe kam ndërtuar anije luftarake. 4 Kam vendosur të zbarkoj në
krahinë për t’i ndëshkuar ata që e shkretuan vendin tonë e rrafshuan qytete të shumta në mbretërinë time.
5
Tash, pra, po i përforcoj të gjitha shkarkesat e tatimeve, prej të cilave të kanë pasë liruar mbretërit para
meje si dhe të gjitha dhëniet e tjera prej të cilave të kanë pasë liruar. 6 Po të jap leje të farkosh monedhën
tënde për vendin tënd. 7 Jerusalemi dhe Vendet e shenjta le të jenë të lira. Të gjitha armët që i ke punuar,
të gjitha kështjellat që i ke ndërtuar e i ke në sundim, janë të tuat. 8 Le të të falet gjithçka i detyrohet vishtarit
mbretëror si edhe çka do t’i kesh detyrë mbretit në të ardhmen, të falen qysh tash e më tutje përgjithmonë.
9
E kur do ta rifitojmë përsëri mbretërinë tonë, do të mbulojmë ty e popullin tënd e tempullin me nderime
të mëdha sa që do ta bëjnë të shkëlqejë nderi juaj mbi mbarë botën.”
10
Në vitin njëqind e shtatëdhjetë e katër Antioku u nis drejt tokës së etërve të vet. Rreth tij u bashkuan të
gjitha njësitet e ushtrisë, sa që vetëm një pakicë mbeti me Trifonin. 11 Mbreti Antiok e ndoqi e ky iku e
erdhi në Dorë që është në breg të detit. 12 E pa se e kishin rrethuar të gjitha të zezat dhe se e kishte lënë
ushtria. 13 Antioku u fushua përbri Dorës me njëqind e njëzet mijë këmbësorë e me tetë mijë kalorës. 14 E
rrethoi qytetin e iu afruan nga deti edhe anijet; kështu e sulmonte qytetin nga toka e nga deti e askënd nuk
linte as të hyjë as të dalë.
Kthimi i dërgatës nga Roma në Jude. Shpallja e besëlidhjes me romakët.
15
Ndërkaq, nga qyteti i Romës u kthye Numeni me ata që kishin qenë me të. Sollën me vete letrat e
shkruara për mbretër e vende të ndryshme. Në to thuhej:
16
“Luci, konsulli i romakëve, mbretit Ptoleme, shëndet!
17
Ndër ne erdhën të dërguarit e judenjve si miq e besëlidhës tanë për ta përtëritur miqësine e besëlidhjen
e mëparshme, të dërguar nga kryeprifti Simon e nga populli i Judesë. 18 Na sollën një shqyt të artë të rëndë
një mijë mna. 19 Vendosëm t’u shkruajmë mbretërve të vendeve të ndryshme të mos u bëjnë ndonjë të keqe
as të mos bëjnë luftë kundër qyteteve të tyre e vendit të tyre dhe të mos u ndihmojnë atyre që do të bënin
luftë kundër tyre. 20 Na u duk punë e mirë ta pranojmë prej tyre shqytin e artë. 21 Nëse, pra, njerëz të
mbrapshtë nga dheu i tyre janë strehuar te ju, dorëzojani kryepriftit Simon t’i ndëshkojë sipas Ligjit të vet.”
22
Kështu i shkroi mbretit Demetër, Atalit, Ariaratit, Arsakut 23 dhe të gjitha vendeve: Sampsakës,
spartanëve, në Del, në Mind, në Sicionë, në Karidë, në Sam, në Pamfili, në Lici, në Alikarnas, në Rod, në
Faselidë, në Koo, në Siden, në Aradon, në Gortinë, në Gnid, në Qipro e në Cirenë. 24 Dysheritjen e këtyre
letrave ia dërguan kryepriftit Simon dhe popullit çifut.
Antioku VII ndërkohë që e mban në rrethim Dorën bëhet armik i Simonit dhe e qorton
25
Antioku, ndërkaq, tash dy ditë, kishte ngulur fushimin përballë Dorës, dhe e sulmonte e vazhdimisht
punonte vegla luftarake. Kështu Trifonit ia kishte mbyllur çdo shteg: s’mund të hynte kush as s’mund të
dilte. 26 Edhe Simoni i dërgoi dy mijë ushtarë të zgjedhur në ndihmë si edhe argjend e ar e pajisje lufte të
shumta. 27 Por, ai s’deshi t’i pranojë, i këputi të gjitha marrëveshjet që kishte bërë me të më parë, madje u
armiqësua me të. 28 Ia dërgoi Atenobin, një nga miqtë e vet, për të biseduar me të e për t’i thënë: “Ju po e
mbani në pushtet tuaj Jopen, Gazarën e Qytezën që është në Jerusalem: qytetet e mbretërisë sime. 29 Vendet
e tyre i keni shkretuar, bëtë shumë rrënime të mëdha në vend dhe po zotëroni mbi vende të shumta të
mbretërisë sime. 30 Tash, pra, dorëzoni qytetet që i keni pushtuar bashkë me tatimet e atyre krahinave që i
keni pushtuar jashtë kufijve të Judesë. 31 Ndryshe, jepni në vend të tyre pesëqind talenta të argjendtë, kurse
për dëme që keni bërë, si edhe për tatime të qyteteve, edhe pesëqind talenta të tjerë. Nëse nuk do të bëni
kështu, do të vijmë e do t’ju luftojmë.”
32
Atenobi, miku i mbretit, erdhi në Jerusalem, e pa shkëlqimin e Simonit, shkëlqimin e tij në ar e në
argjend, pajisjen e begatshme, dhe mbeti i habitur e i kumtoi fjalët e mbretit. 33 Simoni i përgjigji e i tha:
“Ne nuk kemi pushtuar tokë të huaj as s’kemi marrë gjë të huajën, por vetëm pronën e etërve tanë, të cilat
kanë pasë qenë pushtuar padrejtësisht, për do kohë, nga armiqtë tanë. 34 Ne vetëm, duke shfrytëzuar
rrethanat e volitshme, e kemi kthyer pronën e etërve tanë. 35 Sa për Jopen e Gazarën, që ti po i kërkon, ato
bënin kërdi të madhe në popullin tonë e në vendin tonë: për këto japim njëqind talenta.”
Atenobi nuk i përgjigji asnjë fjalë, 36 por u kthye të mbreti idhshëm, ia tregoi këto fjalë, madhërinë e
Simonit si dhe gjithçka pa. Mbreti u zemërua me zemërim të madh.
Qeveritari Cendebe nguc Judenë
37
Ndërkaq, Trifoni, si hipi në një anije, iku në Ortosi. 38 Mbreti e vuri Cendebeun qeveritar të Krahinës
bregdetare dhe i dha një ushtri këmbësorësh dhe kalorësish. 39 I urdhëroi të ngulë fushimin përballë Judesë,
i dha urdhër ta ndërtojë Cedronin, t’ia sigurojë dyert e të nisë luftë kundër popullit. Ndërkaq mbreti
vazhdonte ta ndiqte Trifonin. 40 Ndërkaq, Cendebeu arriti në Jamni. Nisi ta ngucasë popullin, të shkelë
kufijtë e Judesë, të zërë robër nga populli e të vrasë. 41 E rindërtoi Cedronin, vendoi në të kalorës e
këmbësorë që të dalin nga andej e të qarkullojnë udhët e Judesë, sikurse i kishte urdhëruar mbreti.
Fitorja e bijve të Simonit mbi Cendebeun
Kap. 16
1
Gjoni u ngjit nga Gazara e i tregoi Simonit, babës së vet, çka bëri Cendebeu. 2 Simoni i thirri dy djemtë
e vet më të moçëm, Judën e Gjonin e u tha: “Unë e vëllezërit e mi, mbarë shtëpia e tim et, që nga rinia e
deri në ditën e sotme kemi luftuar kundër armiqve të Izraelit e ia kemi dalë ta shpëtojmë Izraelin
shpeshherë. 3 Por, tash jam plakur, kurse ju, në saje të mëshirës, jeni në moshën e duhur. Merreni këmbën
time e të vëllezërve të mi dhe dilni e luftoni për popullin tonë: paçi ndihmën e Qiellit!”
4
Atëherë zgjodhi në vend njëzet mijë luftëtarë e kalorës. Shkuan kundër Cendebeut. Natën e kaluan në
Modin 5 e në mëngjes u ngritën e shkuan në fushë të luftës. Kur qe, një ushtri e madhe këmbësorësh e
kalorësish po u vinte përballë. Ndërmjet tyre ishte një përrua. 6 Gjoni i vuri në lëvizje kundër tyre njësitet
e veta. Kur pa se populli po trembet ta kalojë përroin, e kaloi ai i pari e, kur njerëzit e panë,kaluan edhe ata
pas tij. 7 E vuri në rreshta ushtrinë e ndërmjet këmbësorëve futi kalorësit. Kalorësia e armiqve ishte
njëmend tepër e shumtë! 8 U ranë borive! Cendebeu dhe ushtria e tij u vunë të ikin. Shumë prej tyre ranë
të plagosur, kurse pjesa tjetër u strehua në vendin e fortifikuar. 9 Aso here u plagos Juda, vëllai i Gjonit.
Gjoni i ndoqi deri në Cedron që e kishte fortifikuar. 10 Të mundurit ikën deri në kulla të fushës së Azotit.
Gjoni u dha zjarr kullave. Prej armiqve atë ditë ranë të vrarë dy mijë luftëtarë. Gjoni u kthye qetësisht në
Jude.
Vdekja tragjike e Simonit në Dok.
E trashëgon Gjoni, i biri
11
Për qeveritar në fushën e Jerihonit qe vënë Ptolemeu, biri i Abubit. Ky kishte shumë argjend e ar, 12
sepse ishte dhëndri i kryepriftit. 13 Por, atij iu rrit mendja, synonte ta pushtonte mbarë vendin e mendonte
t’i bënte pabesi Simonit e bijve të tij e t’i zhdukte. 14 Ndërkaq, Simoni po qarkullonte nëpër qytetet e vendit
e, duke pasur kujdes për to, zbriti në Jerihon ai e Matatia e Juda, bijtë e tij, në vitin njëqind e shtatëdhjetë
e shtatë, në muajin e njëmbëdhjetë, d.m.th. në muajin Sabat. 15 Biri i Abubit i ftoi me pabesi në
kështjellëzën që quhet Dok, të cilën e kishte ndërtuar ai. Bëri një gosti të madhe për ta, por aty kishte
fshehur disa njerëz. 16 Por, kur u dehën Simoni e bijtë e tij, u ngrit Ptolemeu me njerëzit e vet, kapën armët,
hynë në shujtore, vranë Simonin e dy bijtë e tij e disa nga përcjellja e tyre. 17 Bëri pabesi të madhe dhe të
mirën e ktheu me të keqe. 18 Për këto gjëra Ptolemeu i shkroi mbretit dhe i kërkoi t’i dërgojë ushtri për
ndihmë e t’ia dorëzojë atij qytetet e vendin. 19 Disa të tjerë i dërgoi në Gazarë për ta vrarë Gjonin. U shkroi
edhe prijësve të ushtrisë të shkojnë tek ai për t’u dhënë argjend, ar e dhurata. 20 Do të tjerë i dërgoi në
Jerusalem e në Malin e Tempullit. 21 Por, dikush ia doli të shkojë më përpara te Gjoni në Gazarë e t’i
lajmërojë se i kishte mbetur i vrarë i ati dhe vëllezërit e tij dhe se: “Ka dërguar gjithashtu të të vrasë edhe
ty.” 22 Kur Gjoni e mori vesh, u trand për së tepërmi, i kapi ata njerëz që kishin ardhur për ta vrarë e i vrau.
E hetoi se donin ta vrisnin.
23
Veprat e tjera të Gjonit, luftërat e tija dhe trimëritë që i ka bërë me guxim, ndërtimet e mureve që i
lartësoi si dhe ndërmarrjet e tjera që i sendërtoi, 24 ja, të gjitha do t’i gjesh të shkruara në Librin e jetës së
tij si kryeprift, që nga dita që u bë kryeprift në vend të t’et.