1 i Samuelit: 1. Shtegtimi në Silo

1

1 Ishte një njeri prej Ramataimit, një Sufaj, prej Malësisë së Efraimit. Quhej Elkanë. Ishte i biri i Jerohamit, të birit të Eliuhut, të birit të Trohuit, të birit të Sufit, nga Efrata. 2 Ky kishte dy gra. Njëra quhej Anë, e tjetra Fenenë. Fenena kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.

3 Ky njeri shkonte për çdo vit prej qytetit të vet në Silo për të adhuruar e për t’i kushtuar fli Zotit të gjithëpushtetshëm. Atje ishin priftërinj të Zotit dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.

4 Erdhi, pra, dita dhe Elkana kushtoi flinë. E kishte zakon t’u jepte pjesë gruas së vet Fenenës dhe bijve e bijave e të saja, 5 kurse Anës i jepte vetëm një pjesë, por të zgjedhur, sepse Anën e donte, megjithëse Zoti e kishte bërë beronjë. 6 Në anën tjetër, edhe ja e saj nuk pushonte së ngacmuari e ia zinte shpirtin ngjak dhe ia kishte prurë punën shumë ngushtë duke e trazuar sepse Zoti e kishte lënë beronjë. 7 Kështu bënte për çdo vit kur vinte koha që të shkonin në tempullin e Zotit: Fenena e lëndonte me fjalë.

Kështu Ana nisi të qajë e s’deshi të hante. 8Atëherë Elkana, burri i saj, i tha: “Anë, pse po qan e nuk ha? Përse po vuan në zemrën tënde? Pse, a nuk jam unë më i mirë për ty se t’i kishe dhjetë djem”.

Lutja e Anës

9 Ana, pasi hëngrën e pinë në Silo, u ngrit. Prifti Heli po rrinte në ndenjësen e vet në derë të Tempullit të Zotit. 10 Ana, ashtu me shpirt plotë dhembje, iu lut Zotit duke derdhur shumë lot 11 dhe iu kushtua Zotit me këto fjalë: “O Zot i gjithësisë, nëse priresh prej shërbëtores sate e shikon vuajtjen time dhe nëse të bie ndër mend për mua, mos e harro shërbëtoren tënde e fali shërbëtores sate një djalë. Unë atë do t’ia kushtoj Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisk rroje nuk do të kalojë përmbi kokën e tij”.

12 Ndërsa ajo po e zgjaste lutjen e vet para Zotit, Heliu e shikonte gojën e saj. 13 Porse Ana fliste në zemrën e vet, luante vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej fare. Kështu Heliu mendoi se ishte e dehur 14 dhe i tha: “Deri kur do të mbetesh e dehur? Bluaje pak verën me të cilën je ngopur”! 15 Ana iu përgjigj: “Jo, imzot, s’është ashtu fare! Unë jam një grua tejet e mjerë! Verë as kurrfarë pijeje që mund të dehë, nuk kam pirë, por zbraza zemrën time para Zotit. 16 Mos e mba shërbëtoren tënde për grua të keqe, sepse u luta kaq gjatë për shkak të mjerimit të madh e trishtimit që kam”.

17 Atëherë Heliu i tha: “Shko në paqe dhe Hyji i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre”.

18 E ajo tha: “Oh, sikur shërbëtorja jote të gjente hir para syve të tu”! Gruaja shkoi në punë të vet, hëngri dhe fytyra e saj nuk qe më si më parë.

Lindja dhe shugurimi i Samuelit

19 Të nesërmen në mëngjes u ngritën e, pasi bënë adhurimin para Zotit, u kthyen e erdhën në shtëpinë e vet në Ramë. Elkana e njohu Anën, gruan e vet, e Zotit i ra ndër mend për të. 20 Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me lutje Zotit.

21 Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t’i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. 22 Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”. 23 Elkana, burri i saj, i tha: “Bëj si të ta marrë mendja se është mirë. Mos eja derisa ta ndash djalin prej gjiri. Unë i lutem Zotit që ta çojë në vend fjalën e vet”.

Gruaja qëndroi, pra, në shtëpi derisa e ndau djalin prej gjiri.

24 Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. 25 E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.

26 Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. 27 U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi lutjen time për çka iu luta. 28 Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”.

Dhe adhuruan Zotin.

1 i Samuelit: 2. Kënga e Anës

2

1 Atëherë Ana u lut e tha:

“Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit,

m’u trash krahu në saje të Hyjit tim;

hapur e kam gojën kundër armiqve të mi,

sepse më gëzove me bamirësinë tënde.

2 Askush s’është i shenjtë krahas me Zotin,

sepse përveç teje tjetër s’ka!

Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!

3 Oh, mos folni fjalë të mëdha krenarie,

larg gojës suaj fjalët me madhështi:

sepse Hyji është Zoti që di gjithçka

e prej tij peshohen veprimet!

4 Harku i të fortëve u thye,

kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!

5 Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje,

kurse të uriturit më s’sprovojnë skamje.

Beronja lindi fëmijë me shumicë,

kurse ajo që pati shumë u shua.

6 Zoti bën që të vdiset e të jetohet,

plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.

7 Zoti bën skamnor e të pasur,

përul edhe lartëson;

8 prej pluhurit e ngre varfanjakun,

prej llomit e lartëson skamnorin,

që të rrijë me princa,

që ta zërë vendin e nderit.

Sepse të Zotit janë shtyllat e tokës

mbi to e vendosi botën.

9 Ai i ruan hapat e besnikut të vet,

në errësirë do të zhduken keqbërësit,

s’është forca që burrin e bën burrë!

10 Zoti do t’i ndrydhë kundërshtarët e vet,

prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!

Zoti do ta gjykojë mbarë botën,

sundimin do t’ia japë mbretit të vet,

Ai do t’ia ngrejë ballin Mesisë së vet”!

11 Atëherë Elkana u kthye në Ramë në shtëpinë e vet. Fëmija ishte shërbëtor në praninë e Zotit nën mbikëqyrjen e Heliut prift.

Bijtë e Heliut

12 Bijtë e Heliut ishin njerëz të prishur: nuk çanin kokën për Zotin 13 dhe s’ishin në kujdes për sjelljen e mirë priftërore ndaj popullit: kur kushtonte ndokush flinë, vinte shërbëtori i priftit me tërfurk tredhëmbësh dhe, ndërsa zihej mishi, 14 e ngulte në mish në kusi, në kazan, në vegësh ose në tavë dhe, gjithsa i kapte tërfurku, e merrte prifti për vete. Kështu ua bënin të gjithë izraelitëve që vinin në Silo. 15 Madje, edhe para se të digjnin dhjamin, vinte shërbëtori i priftit e i thoshte atij që kushtonte flinë: “Ma jep mishin që t’ia pjek priftit, sepse nuk do që prej teje të marrë mishin e zier, por të freskët ‑ të pazier”. 16 Flijuesi i thoshte: “Një herë le të digjet dhjami, siç është rregulla, dhe atëherë merr sa të dëshirosh”, por ky i përgjigjej: “Assesi. Më mirë ma jep Tani se, përndryshe, do të ta marr me dhunë”. 17 Mëkati i djelmoshave ishte shumë i madh para Zotit, sepse ata përbuznin flinë e Zotit.

Samueli në Silo

18 Samueli shërbente në praninë e Zotit. Djaloshi ishte i veshur me shpinorin e linjtë. 19 E ëma ia punonte edhe nga një gunëz çdo vit e ia sillte kur shkonte bashkë me burrin për të adhuruar e për të kushtuar flinë vjetore. 20 Heliu bekonte Elkanën dhe gruan e tij e thoshte: “Të dhëntë Zoti të tjerë fëmijë prej kësaj gruaje për dhuratën që i bëri Zotit”.

Ata u kthyen në shtëpinë e vet.

21 Zoti e pa me të mira Anën, ajo ngjizi dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkaq Samueli rritej në praninë e Zotit.

Përsëri për bijtë e Heliut

22 Heliu ishte plakur shumë, por kishte dëgjuar gjithçka që bënin bijtë e tij kundrejt të gjithë izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në hyrjen e Tendës së takimit. 23 Ai u tha: “Pse bëni punë të tilla, për të cilat po dëgjoj prej mbarë popullit, punë tejet të liga? 24 Mosni, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira që po fliten... Po shkandulloni popullin e Zotit.

25 Nëse njeriu mëkaton kundër njeriut,

është Zoti ai që do të gjykojë;

por, në qoftë se njeriu mëkaton kundër Zotit,

kush do të ndërmjetësojë për të”?

Por ata nuk e dëgjuan zërin e t’et, sepse Zoti kishte vendosur t’i vriste.

26 Ndërkaq Samueli rritej e përparonte dhe i pëlqente Zotit e njerëzve.

Paralajmërimi i ndëshkimit

27 Një ditë erdhi një njeri i Hyjit te Heliu e i tha: “Kështu thotë Zoti: A thua nuk i jam zbuluar qartë shtëpisë së babait tënd kur ishte në Egjipt, në shtëpinë e faraonit? 28 Unë e zgjodha atë që të jetë, në mes të të gjitha fiseve të Izraelit, prifti im, që të ngjitet në lterin tim, të djegë kemin e të mbartë shpinorin në praninë time. Unë ia dhashë shtëpisë së babait tënd të gjitha flitë që i kushtojnë të gjithë izraelitët! 29 Përse shqelmoni flinë time, dhuratat e mia që urdhërova të kushtohen në tempull, e ti më tepër i nderove bijtë e tu se mua, për t’u ngopur me pjesët më të mira të flive që i kushton Izraeli, populli im?

30 Për këtë arsye thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Pata folur e pata thënë: shtëpia jote e shtëpia e babait tënd do të shërbejnë në praninë time për amshim; por tani ‑ është fjala e Zotit ‑ Kurrë më, assesi! Sepse unë do t’i nderoj ata që më nderojnë, kurse ata që më përbuzin, do të jenë të përbuzur. 31Ja, po vijnë ditët, kur do ta pres krahun tënd dhe krahun e shtëpisë së tët eti, kështu që s’do të ketë më plak në shtëpinë tënde. 32 Ti do ta shikosh kundërshtarin tënd në tempull të mbuluar me të gjitha të mirat e Izraelit, kurse plak më kurrë prej shtëpisë sate s’do të ketë! 33 Megjithatë do të lë ndonjë mashkull prej shtëpisë sate në lterin tim, me qëllim që të humbin sytë e tu në rrashtë e të të pëlcasë zemra, kurse pjesa më e madhe e meshkujve të tu do të vdesin posa t’ia arrijnë moshës së burrërisë. 34 Për shenjë do të kesh atë që do t’u ndodhë dy bijve të tu Ofniut e Fineesit: në një ditë do të vdesin të dy!

35 E unë do të bëj të ngrihet për vete një prift besnik. Ai do të veprojë sipas zemrës sime e sipas dëshirës sime. Unë do t’i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të jetojë para të shuguruarit tim gjatë gjithë jetës. 36 E do të ndodhë që edhe ai që do të mbesë gjallë prej shtëpisë sate, do të vijë e do të përkulet para tij për një kacille të argjendtë e për një qeth bukë e t’i lutet: ‘Më prano, po të bëj lutje, në çfarëdo shërbese priftërore të kem një kafshatë bukë’”.

1 i Samuelit: 3. Hyji e thërret Samuelin

3

1 Samueli djalosh i shërbente Zotit nën mbikëqyrjen e Heliut. Fjala e Zotit ishte asokohe e rrallë: nuk kishte vëgime të shpeshta. 2 E ndodhi që një ditë, Heliu po pushonte në vendin e vet të rëndomtë. Sytë i ishin dobësuar shumë: nuk shihte fare. 3 Drita e Zotit ende nuk ishte shqimur. Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. 4 Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!”, 5 u lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre”. Ai i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli”! Ai shkoi e ra të flinte.

6 Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi tek Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre”! Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli”! 7 Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar.

8 Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi tek Heliu 9 e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur”! Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri, thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt’!” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet.

10 Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel”! E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon”.

11 Atëherë Zoti i tha Samuelit: “Ja, do të bëj një emnesë në Izrael që kushdo ta dëgjojë, do t’i tingëllojnë të dy veshët.

12 Atë ditë do të kryej kundër Heliut gjithçka që kam thënë për shtëpinë e tij: pikë për pikë. 13 Sepse i kam treguar që më parë se do ta dënoj shtëpinë e tij përgjithmonë për shkak të paudhësisë: ai e dinte se të bijtë e përbuznin Hyjin e megjithatë nuk i kishte qortuar. 14 Këndej edhe i përbetohem shtëpisë së Heliut: asgjë nuk mund ta shpërblejë fajin e shtëpisë së tij as me fli as me dhurata, askurrë”.

15 Samueli fjeti deri në mëngjes, e atëherë i hapi dyert e Shtëpisë së Zotit. Samueli kishte frikë t’ia tregonte vëgimin Heliut. 16 E Heliu e thirri Samuelin e i tha: “Samuel, biri im”! Ai iu përgjigj: “Urdhëro”! 17 Ai e pyeti: “Cila është fjala që ta ka drejtuar? Po të lutem, mos ma fsheh. Ashtu ta bëftë Zoti ty e edhe më zi, nëse më fsheh edhe një fjalë prej të gjitha fjalëve që t’i ka thënë”.

18 Kështu, pra, Samueli ia tregoi të gjitha fjalët dhe nuk i fshehu asnjë fjalë. E Heliu u përgjigj:”Ai është Zot. Le të bëjë gjithçka është e mirë para syve të tij”.

19 Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. 20 Mbarë Izraeli, prej Danit e deri në Bersabe, e mori vesh se Samueli ishte bërë profet i Zotit. 21 Zoti vazhdoi të dëftohej në Silo. Zoti, në të vërtetë, i dëftohej në Silo Samuelit me anë të fjalës së Zotit.

Fjala e Samuelit i drejtohej mbarë Izraelit.

1 i Samuelit: 4. Humbja e luftës së izraelitëve dhe grabitja e Arkës

4

1 Ndër ato ditë u bashkuan filistenjtë për të luftuar. Edhe izraelitët u dolën para filistenjve për t’u ndeshur në luftë. E ngulën fushimin përgjatë Abeneserit, kurse filistenjtë në Afek 2 dhe e renditën rreshtin e luftës kundër Izraelit. Por, kur u ndez lufta, izraelitët u sollën shpinën filistenjve. Mbetën të vrarë atë ditë nëpër ara rreth katër mijë burra.

3 Populli u kthye në fushim e pleqtë e Izraelit thanë: “Pse na goditi sot Zoti me anë të filistenjve? Të shkojmë në Silo e ta marrim Arkën e Besëlidhjes së Zotit dhe ta çojmë në mesin tonë që të na shpëtojë prej dorës së armiqve tanë”. 4 Populli dërgoi disa njerëz në Silo dhe morën prej andej Arkën e Besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri përmbi kerubinë. Me Arkën e Besëlidhjes së Hyjit ishin të dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.

5 Posa arriti në fushim Arka e Besëlidhjes së Zotit, mbarë Izraeli lëshoi një britmë kushtrimi aq të fortë, saqë ushtoi toka. 6 Filistenjtë dëgjuan brohoritjen e thanë: “Ç’do të jetë kjo britmë kushtrimi në fushimin e hebrenjve”? E morën vesh se kishte ardhur në fushim Arka e Zotit. 7 Filistenjtë u trembën e thanë: “Hyji i erdhi në fushim!” Dhe britën e thanë: 8 “Të mjerët ne! Nuk kishte një gëzim të tillë më parë! Të mjerët ne! Kush do të na shpëtojë prej duarve të zotave të tillë të madhërishëm? Këto janë hyjnitë që i goditën egjiptianët me të gjitha ato shuplaka në shkretëtirë! 9 Merrni zemër e bëhuni trima, o filistenj, që të mos u shërbeni hebrenjve, sikurse ata ju shërbyen juve. Jini trima e luftoni”!

10 Atëherë filistenjtë e filluan betejën, izraelitët u thyen dhe secili u fut në çadrën e vet. Qe kjo një humbje e madhe fort: ranë në luftim izraelitët tridhjetë mijë këmbësorë. 11 U zu edhe Arka e Hyjit, po edhe të dy bijtë e Heliut mbetën të vrarë: Ofniu e Fineesi.

Vdekja e Heliut

12 Po atë ditë erdhi me vrap në Silo një burrë prej fisit të Beniaminit nga fronti i luftës me petka të shqyera e me kokë të përhitur nga pluhuri. 13 Kur arriti ky, Heliu rrinte në ndenjësen e vet në hyrje, me fytyrë nga rruga: e kishte zemrën të shqetësuar lidhur me Arkën e Hyjit. Ky njeri si arriti e dha lajmin e zi. Mbarë qyteti lëshoi një britmë të madhe. 14 Heliu e dëgjoi britmën e pyeti: “Ç’do të thotë kjo britmë kryengritjeje”? Ndërkaq ai njeri vrapoi e i tregoi Heliut. 15 Heliu kishte nëntëdhjetë e tetë vjet, sytë i ishin errësuar e më nuk shihte. 16 Ky i tha Heliut: “Jam unë që po vij nga fronti i luftës dhe sot ika nga lufta”. E ai e pyeti: “Çfarë ka ndodhur, biri im”? 17 Lajmëtari iu përgjigj: “Iku para filistenjve Izraeli e u bë kërdi e madhe në popull. Për më tepër, mbetën edhe të dy djemtë e tu, Ofniu dhe Fineesi dhe ata e morën edhe Arkën e Hyjit”.

18 Kur dëgjoi të përmendet Arka e Hyjit, u rrëzua përmbrapa nga ndenjësja, ra në prak të derës, theu arrçin e qafës e vdiq. Sepse ishte njeri i moçëm e i rëndë.

Qe gjyqtar në Izrael për dyzet vjet.

Vdekja e gruas së Fineesit

19 Reja e tij, gruaja e Fineesit, ishte shtatzënë dhe afër për të lindur. Kur dëgjoi se është marrë Arka e Hyjit, se i vdiq vjehrri dhe se i kishte mbetur burri, ra e lindi: papritmas e kapën dhembjet e të lindurit. 20 Ndërsa ajo ishte duke dhënë shpirt, ato që e rrethonin, i thoshin: “Mos u tremb se ke lindur djalë”. Por ajo nuk u përgjigj as që i dëgjoi. 21 Ajo e quajti djalin Ikabod, d. m. th. “I shkoi nderi Izraelit”, sepse u mor Arka e Hyjit, e vdiq vjehrri dhe iu vra burri. 22 Tha: “Shkoi nderi i Izraelit, pasi u mor Arka e Hyjit”!

1 i Samuelit: 5. Arka u sjell vështirësi filistenjve

5

1 Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit dhe e çuan prej Abenezerit në Azot. 2 Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit, e futën në tempullin e Dagonit dhe e vendosën përkrah Dagonit.

3 Të nesërmen kur u ngritën azotianët, kur, ç’të shohësh?- ja Dagoni përmbys me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit! E kapën Dagonin dhe e vendosën prapë në vendin e vet. 4 Por përsëri të nesërmen në mëngjes shkuan dhe e gjetën Dagonin të shtrirë përtokë me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit. Por koka e Dagonit dhe të dy duart e tija, të prera, ishin në prak të derës: 5 në vend ishte vetëm trupi i Dagonit. Për këtë arsye priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që hyjnë në tempullin e tij, nuk e shkelin pragun e Dagonit në Azot atë ditë e sot.

6 Atëherë erdhi e u rëndua dora e Zotit mbi azotianë, i dërrmoi dhe i goditi me çibanë Azotin e rrethet e tija. 7 Me të parë këtë plagë, azotianët thanë: “Të mos qëndrojë ndër ne Arka e Hyjit të Izraelit, sepse është e rëndë dora e tij mbi ne dhe mbi Dagonin, zotin tonë”. 8 Ata çuan e thirrën të gjithë princat filistenj e thanë: “Çfarë do të bëjmë me Arkën e Hyjit të Izraelit”? Ata u përgjigjën: “Le të çohet në Get Arka e Hyjit të Izraelit”. Dhe e shpunë Arkën e Hyjit të Izraelit.

9 Por, pasi e çuan Arkën atje, dora e Zotit u rëndua mbi qytet. Ata i kapi frikë tejet e madhe; i goditi njerëzit e qytetit, prej të voglit e deri në të madhin dhe u mbuluan nga çibanët. 10 Këta e çuan Arkën e Hyjit në Akaron.

Por kur arriti Arka e Hyjit në Akaron, bërtitën akaronasit e thanë: “E sollën tek ne Arkën e Hyjit të Izraelit që të na mbysë ne dhe popullin tonë”! 11 Prandaj i bashkuan të gjithë princat e filistenjve e u thanë: “Lëshojeni Arkën e Hyjit të Izraelit e të shkojë në vendin e vet që të mos na vrasë ne dhe popullin tonë”. 12 Sepse në mbarë qytetin mbretëronte frika e vdekjes, aq fort ishte rënduar aty dora e Hyjit. Njerëzit që ende nuk kishin vdekur, ngarkoheshin me çibanë dhe dënesja e ulurima e qytetit arrinte në qiell.

1 i Samuelit: 6. Kthimi i Arkës

6

1 Kështu Arka e Zotit qëndroi në tokën e filistenjve për shtatë muaj. 2Filistenjtë i thirrën priftërinjtë dhe dijetarët e u thanë: “Si t’ia bëjmë me Arkën e Zotit? Na mësoni si do ta kthejmë në vendin e vet”.

Ata u përgjigjën: 3 “Nëse e ktheni Arkën e Hyjit të Izraelit, mos e ktheni të zbrazët, por e keni për detyrë ta shpërbleni për mëkat e atëherë do të shëroheni e do ta kuptoni pse dora e tij nuk u hoq prej jush”. 4 Ata thanë: “E çfarë na duhet t’i japim për shpërblim të fajësisë ndaj tij”? Ata u përgjigjën: 5 “Sipas numrit të princave filistenj: pesë çibanë të artë e pesë minj të artë, sepse shuplaka qe e njejtë qoftë në ju qoftë në princat tuaj. Punoni, pra, trajtat e çibanëve tuaj e trajtat e minjve që shkretëruan vendin tuaj dhe jepni lavdi Hyjit të Izraelit, atëherë ndoshta do ta heqë dorën e vet prej jush, prej zotave tuaj e prej vendit tuaj. 6 Përse i ngurroni zemrat tuaja siç e ngurroi Egjipti dhe faraoni zemrën e vet? Pasi që i shuplakoi, a nuk i lanë atëherë të shkojnë e shkuan?

7 Pra, punoni një qerre të re, merrni dy lopë pëlleja që ende nuk kanë qenë të zëna në zgjedhë dhe mbërtheni në qerre, kurse viçat e tyre ndryni në vathë. 8 Merreni Arkën e Zotit e vëreni në qerre. Po edhe gjërat e punuara me ar që ju ia jepni si shpërblim, vendosni në një arkëz, të cilën ta vini përgjatë Arkës, e atëherë lërini të shkojnë 9 e vëreni. Nëse niset drejt vendit të vet, në drejtim të Betsamesit, Ai jua bëri këtë të keqe të madhe; por në qoftë se nuk ndodh kështu, atëherë do ta dimë se nuk na preku dora e tij, por na ndodhi rastësisht”.

10 Ata bënë ashtu. Morën dy lopë që i ndërgonin viçat, i vunë në qerre e viçat e tyre i ndrynë në vathë; 11 e vunë Arkën e Hyjit në qerre edhe arkëzën që mbante minjtë e artë dhe trajtat e çibanëve. 12 Lopët ecnin drejt udhës që shpie në Betsames dhe ecnin drejt rrugës duke pallur nuk shmangeshin as djathtas as majtas. Edhe princat e filistenjve shkonin pas tyre deri në kufijtë e Betsamesit.

Arka në Betsames

13 Po atëherë betsamesasit po korrnin grurin në luginë. Ngritën sytë e panë Arkën. Kur e panë, u gëzuan shumë. 14 Arka mbërriti tek ara e Jozueh Betsamesasit dhe aty u ndal. Aty ishte një gur i madh. I prenë drutë e qerres, mbi to i vunë lopët për fli shkrumbimi për nder të Zotit. 15 Levitët e kishin ulur Arkën e Hyjit dhe arkëzën që ishte përgjatë saj, në të cilën ishin trajtat e arta dhe i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë njerëzit e Betsamesit i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe therore. 16 E panë këtë pesë princat e filistenjve dhe po atë ditë u kthyen në Akaron.

17 Dhe këta janë çibanët e artë që i dhuruan Zotit si shpërblim për faj: Azoti një, Gaza një, Askaloni një, Geti një, Akaroni një. 18 Minj të artë qenë aq sa ishin qytetet e filistenjve, të princave filistenj, prej qytetit të muruar deri në fshatin e parrethuar me mure. Ai gur i madh, mbi të cilin e vendosën Arkën e Zotit, është dëshmitar edhe sot e kësaj dite në arën e Jozuehut të Betsamesit.

19 Porse bijtë e Jekonisë, të vetmit ndër njerëzit e Betsamesit, nuk u gëzuan pse panë Arkën e Zotit, prandaj Zoti i goditi shtatë‑ dhjetë vetë prej popullit. Për këtë arsye populli bëri gjëmë të madhe pse Zoti e vuri popullin në sprovë kaq të vështirë.

Arka në Kariatiarim

20 Atëherë njerëzit e Betsamesit thanë: “Kush do të mund të qëndrojë pranë Zotit, këtij Hyji të shenjtë? Te kush do të shkojë tani prej nesh”? 21 Atëherë dërguan lajmëtarë te banorët e Kariatiarimit. Thanë: “Filistenjtë e kthyen Arkën e Zotit. Ejani e çojeni tek ju atje lart”.

1 i Samuelit: 7. Arka në Kariatiarim

7

1 Erdhën, pra, njerëzit e Kariatiarimit dhe e çuan Arkën e Zotit tek ata dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadabit, në një kodër. Ata e shuguruar Eleazarin, birin e Abinadabit, që ta ruajë Arkën e Zotit.

Samueli gjyqtar dhe çlirimtar

2 Kështu pra, që prej ditës kur Arka e Zotit qëndroi në Kariatiarim, kaluan ditë bukur shumë ‑ njëzet vjet ‑ dhe mbarë populli i Izraelit zuri të lëshojë ofshama drejt Zotit.

3 Atëherë Samueli iu drejtua mbarë shtëpisë së Izraelit me këto fjalë: “Nëse me gjithë zemër doni të ktheheni te Zoti, hiqni zotat e huaj, dhe astarotët prej mesit tuaj. Drejtojani zemrat tuaja Zotit, shërbejini vetëm Atij dhe Ai do t’ju shpëtojë prej dorës së filistenjve.” 4 Bijtë e Izraelit i flakën baalët e astarotët dhe i shërbyen vetëm Zotit.

5 Samueli tha: “Bashkojeni mbarë Izraelin në Masfë që t’i lutem Zotit për ju”. 6 U bashkuan në Masfë, nxorën ujë, e derdhën para Zotit, agjëruan atë ditë dhe thanë aty: “Kemi mëkatuar ndaj Zotit”. Samueli në Masfë qe gjyqtar i Izraelit.

7 Filistenjtë e morën vesh se izraelitët ishin bashkuar në Masfë dhe princat e filistenjve shkuan kundër Izraelit. Kur e morën vesh bijtë e Izraelit, i kapi frika e filistenjve 8 e i thanë Samuelit: “Mos pusho ta thërrasësh në ndihmë Zotin, Hyjin tonë, që të na shpëtojë prej dorës së filistenjve”.

9 Samueli mori një qengj që e ndërgonte t’ëmën dhe të tërin ia kushtoi Zotit fli shkrumbimi dhe iu lut Samueli Zotit për bijtë e Izraelit dhe Zoti e vështroi. 10 Dhe, ndërsa Samueli po kushtonte flinë e shkrumbimit, filistenjtë nisën luftën kundër Izraelit. Atë ditë Zoti gjëmoi me bubullimë të tmerrshme përmbi filistenj dhe ua futi frikën e izraelitët bënë kërdi në ta. 11 Izraelitët dolën prej Masfës i ndoqën filistenjtë dhe i prenë deri në vendin që është në Betëhar. 12 Atëherë Samueli mori një gur dhe e vendosi ndërmjet Masfës e Senit dhe e quajti atë vend Abenezer /d. m. th. Guri i ndihmës/ dhe tha: “Deri këtu na ndihmoi Zoti”.

13 Kështu u mposhtën filistenjtë dhe s’patën më guxim të vijnë në tokat e Izraelit. Dora e Zotit rëndoi mbi filistenj gjatë gjithë kohës së Samuelit. 14 Izraelit iu kthyen edhe qytetet që filistenjtë ia kishin marrë, prej Akaronit deri në Get. Izraeli i çliroi të gjitha tokat prej duarve të filistenjve. E qe paqe ndërmjet izraelitëve e amorrenjve.

15 Samueli ishte gjyqtar i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij 16 dhe për çdo vit shkonte në Betel, Galgalë e Masfë e ushtronte detyrën e gjyqtarit në qytetet e përmendura. Pastaj kthehej në Ramë, sepse aty e kishte shtëpinë dhe aty rëndom ushtronte detyrën e gjyqtarit të Izraelit. Aty ndërtoi edhe një lter për nder të Zotit.

1 i Samuelit: 8. Populli kërkon një mbret

8

1 Si u plak Samueli, i vuri bijtë e vet për gjyqtarë të Izraelit. 2 Djali i tij i madh quhej Joel e i dyti quhej Abia. Detyrën e gjyqtarit e ushtronin në Bersabé. 3 Porse bijtë e tij nuk shkonin udhëve të tija. Të prirur pas fitesës, merrnin dhurata dhe shtrembëronin të drejtën. 4 Atëherë u bashkuan të gjithë pleqtë e Izraelit e shkuan te Samueli në Ramë. 5 I thanë: “Ja, ti u plake e fëmijët e tu nuk ecin udhëve të tua. Tani pra, na cakto një mbret, siç e kanë të gjitha kombet e tjera, që të na gjykojë”. 6 Aspak nuk i pëlqeu Samuelit që i thanë: “Na cakto një mbret që të na gjykojë”. Por Samueli iu lut Zotit.

7 E Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje zërin e popullit për gjithçka që të thonë. Ata nuk të përbuzën ty, por më përbuzën mua që të mos sundoj mbi ta. 8 Po bëjnë me ty ashtu si kanë vepruar me mua që prej ditës që i nxora nga Egjipti deri në ditën e sotme ‑ më lanë mua e u shërbyen zotave të huaj. 9 Por tani dëgjoje zërin e tyre. Megjithatë assesi mos e lër pa ua sjellë ndër mend: mësojua të drejtën e mbretit që do të sundojë mbi ta”.

Vështirësitë që sjell mbretëria

10 Popullit që i kishte kërkuar mbretin, Samueli ia tregoi të gjitha fjalët e Zotit. 11 U tha: “Ja e drejta e mbretit që do t’ju sundojë: bijtë tuaj do t’i marrë e do t’i vërë në karrocat e tija. Do t’i bëjë kalorës e do të vrapojnë para karrocave të tija. 12 Do të caktojë ja e ja. Do të lëvrojnë tokat e tija, do të korrin të mbjellat e tija. Do t’i bëjë mjeshtër për armë e për karroca të tija. 13 Po edhe vajzat tuaja do t’i marrë për t’i përgatitur erëra të mira, për t’i zier e për t’i pjekur atij bukë. 14 Do t’i marrë tokat tuaja më të mirat, vreshtat dhe ullishtat e do t’ua japë oborrtarëve të vet. 15 Ai do t’ju marrë edhe të dhjetat e të mbjellave tuaja, të prodhimit të vreshtave tuaja e do t’ua japë oborrtarëve dhe zyrtarëve të vet. 16 Do t’i marrë edhe shërbëtorët e shërbëtoret tuaja, qetë tuaj më të mirët dhe gomarët tuaj do t’i marrë për të punuar punën e tij. 17 Do të marrë të dhjetën e grigjave tuaja dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. 18 Atë ditë do të kërkoni ndihmë për shkak të mbretit që vetë do ta keni zgjedhur, por më kot se atëherë Zoti nuk do t’ju vështrojë”.

19 Por populli nuk deshi t’ia dëgjonte fjalën Samuelit e i tha: “Assesi! Ne duam mbret! 20 Duam edhe ne të jemi si popujt e tjerë! Do të na gjykojë mbreti ynë, para nesh do të dalë në luftë e do t’i luftojë luftërat tona”!

21 Kur Samueli i dëgjoi të gjitha fjalët e popullit, të gjitha ia tregoi Zotit. 22 E Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje zërin e popullit dhe jepu mbretin”.

Atëherë Samueli u tha izraelitëve: “Le të shkojë secili në qytetin e vet”.

1 i Samuelit: 9. Sauli dhe gomaricat e t’et

9

1 Ishte një burrë prej fisit të Beniaminit që e kishte emrin Cis. Ishte i biri i Abielit, të birit të Serorit, të birit të Bekoratit, të birit të Afiait, një i beniaminas, burrë i pasur. 2 Kishte një djalë që quhej Saul, djalë i zgjedhur e i mirë; s’kishte burrë më të mirë se ai ndër bijtë e Izraelit. Që prej krahëve e lart ngalliste mbi mbarë popullin.

3 Cisit, babait të Saulit, i kishin humbur gomaricat. Cisi i tha Saulit, birit të vet: “Merre me vete një shërbëtor, ngrihu e kërkoji gomaricat”. Këta, pasi kaluan malin e Efraimit 4 dhe pasi kaluan edhe tokën e Salisë e nuk i gjetën, kaluan gjithashtu edhe nëpër tokën e Salimit, por nuk ishin as aty. Kaluan edhe tokën e Jeminit e nuk gjetën gjë.

5 Kur arritën në tokën e Sufit, Sauli i tha shërbëtorit të vet që ishte me të: “Eja të kthehemi, se mos po i harron im atë gomaricat e po bie në mendime për ne”. 6Ai i tha: “Shih, është në këtë qytet një njeri i Hyjit, burrë shumë bujar. Gjithçka thotë, ndodh pa farë mëdyshjeje. Të shkojmë, pra, atje, ndoshta na tregon gjë lidhur me udhëtimin tonë që kemi ndërmarrë”. 7 Sauli i tha shërbëtorit të vet: “Zëre se po shkojmë, po ç’t’i çojmë atij burri? Buka na u mbarua në strajcat tona, dhuratë nuk kemi për t’i dhënë njeriut të Hyjit. Çka kemi”? 8 Shërbëtori përsëri iu përgjigj Saulit e i tha: “Ja, u gjet në dorën time e katërta pjesë e siklit të argjendtë, po ia japim njeriut të Hyjit që të na tregojë për udhëtimin tonë”. ‑ 9 Dikur, qëmoti, kështu thoshte secili që shkonte të pyeste Hyjin: “Ejani të shkojmë te vëguesi”, sepse ai që sot quhet profet, dikur quhej vëgues. ‑10 Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të vet: “Fare mirë e ke, eja të shkojmë”. Dhe shkuan në qytet në të cilin ishte njeriu i Hyjit.

Sauli takon Samuelin

11 Ndërsa po ngjiteshin përpjetës së qytetit, takuan vajzat duke dalë për të nxjerrë ujë. I pyetën: “A mos është këtu vëguesi”? 12 Ato u përgjigjën: “Këtu është: ja ku është para teje, shpejto tani! Sepse sot erdhi në qytet pasi sot populli bën fli në kodër. 13 Posa të hyni në qytet do ta takoni menjëherë, para se të ngjitet në kodër për të ngrënë. Populli nuk do të hajë para se të mbërrijë ai, sepse ai bekon theroren dhe vetëm pastaj hanë të ftuarit. Shpejtoni, pra, lart, se menjëherë do ta gjeni”.

14 U ngjitën në qytet. Kur ata po hynin në qytet, ja, Samueli po dilte prej qytetit para tyre për të shkuar lart në kodër.

15 Një ditë para se të vinte Sauli, Zoti e kishte njoftuar Samuelin e i kishte thënë: 16 “Shih në këtë orë që është tani nesër unë do të çoj te ti një njeri prej tokës së Beniaminit. Ti atë lyeje për Krye të mbarë popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim prej duarve të filistenjve. E pashë mjerimin e popullit tim dhe gjëma e tij arriti tek unë”.

17 Posa Samuelit i shkuan sytë te Sauli, Zoti i tha: “Ja njeriu për të cilin të kam thënë: ky do të zotërojë mbi popullin tim”.

18 Samuelit iu afrua Sauli në mes të derës e i tha: “Të lutem, më trego: ku është shtëpia e vëguesit”? 19 Samueli iu përgjigj Saulit: “Unë jam vëguesi. Ngjitu para meje në kodër që të hani sot me mua. Në mëngjes do të të nis dhe do të të tregoj për gjithçka ke në mend të pyesësh. 20 Sa për gomaricat që të kanë humbur që pardje, mos ji në kujdes se janë gjetur. E, kujt do t’i takojë ç’është mirë e më mirë në Izrael? A thua jo ty dhe mbarë shtëpisë së tët eti”?

21 E Sauli iu përgjigj: “Po a nuk jam unë një i beniaminas prej më të voglit fis të Izraelit? Po edhe vëllazëria ime a nuk është më e fundit ndër të gjitha barqet e fisit të Beniaminit? Pse atëherë po më thua mua një fjalë të tillë”?

22 Samueli i mori me vete Saulin e shërbëtorin e tij, i futi në dhomë dhe u dha kryet e vendit ndër të gjithë ata që kishin qenë të ftuar: ishin rreth tridhjetë vetë. 23 Po edhe gjellëbërësit i tha Samueli: “Ma sill pjesën që ta dhashë e të urdhërova ta ndash veçmas”. 24 Gjellëbërësi mori shpatullën e bishtin dhe i vuri para Saulit. E Samueli tha: “Ja pjesa që u ruajt. Vëre para vetes dhe haje, sepse është ruajtur me qëllim për ty, kur e thirra popullin”.

Atë ditë Sauli hëngri me Samuelin.

25 Pastaj zbritën prej kodrës në qytet. Saulit i shtruan në tarracë dhe fjeti.

Shugurimi i Saulit

26 Kur u ngritën në mëngjes, pasi kishte aguar, Samueli e thirri Saulin që ishte në tarracë e i tha: “Ngrihu e do të nisesh të shkosh”. Sauli u çua. Dolën, pra, të dy, d. m. th. ai e Samueli. 27 Kur arritën në fund të qytetit, Samueli i tha Saulit: “Thuaj shërbëtorit që të shkojë para nesh ‑ dhe ai kaloi përpara ‑ kurse ti ndalu pak që të ta tregoj fjalën e Zotit”.

1 i Samuelit: 10. Kthimi i Saulit

10

1 Samueli mori enën me vaj, e zbrazi mbi kokë të tij dhe e puthi. I tha: “Ja, Zoti të shuguroi për prijës mbi popullin e vet, mbi Izrael. Ti do ta sundosh popullin e Zotit dhe do ta çlirosh prej dorës së armiqve të tij që janë përreth. Dhe, ja, shenja se Hyji të ka shuguruar për prijës mbi trashëgimin e vet: 2 pasi të largohesh sot prej meje, do t’i takosh dy njerëz te varri i Rakelës në kufirin e tokës së Beniaminit. Ata do të thonë: “Gomaricat që kishe dalë t’i kërkoje, u gjetën; yt atë i ka harruar gomaricat e është bërë shumë marak për ju e thotë: ‘Çka të bëj tani për djalë’? 3 E kur të shkosh prej andej përtej e të mbërrish te Qarri i Taborrit, aty do të të takojnë tre burra që janë nisur të shkojnë tek Hyji në Betel: njëri do të mbartë tre edha, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i treti një rrëshiq me verë. 4 Pasi të të kenë përshëndetur, ata do të t’i japin dy bukë dhe ti merri prej dorës së tyre. 5 Pastaj do të arrish te Gabaa e Hyjit, ku është roja filistine. Kur të kesh hyrë në qytet, aty do të takosh një turmë profetësh që zbresin prej lartësisë e para tyre harpa, daulle, fyej e cetra e ata duke profetizuar. 6 Edhe ty do të të sulmojë shpirti i Zotit e edhe ti do të kalosh në kllapi profetike dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër. 7 Kur të shohësh se u përmbushën këto shenja, bëj si të duash, sepse Zoti është me ty. 8 Atëherë zbrit para meje në Galgalë. Sepse edhe vetë do të zbres tek ti për të paraqitur kushtin dhe për të flijuar flitë e pajtimit. Prit shtatë ditë derisa të vij tek ti e të të kallëzoj se çfarë duhet të bësh”.

Kthimi i Saulit

9 Kështu, pra, sa i ktheu shpinën Sauli Samuelit për t’u larguar, Hyji ia shndërroi zemrën e të gjitha shenjat iu vërtetuan po atë ditë. 10 Prej andej arritën në Gabaa, kur ja, turma e profetëve i doli përpara. Shpirti i Hyjit e pushtoi atë, dhe edhe ai nisi të profetizonte mes tyre.

11 Kur panë ata që e kishin njohur më parë, se si edhe ai papritmas u përzie me profetë e po profetizonte, e pyesnin njëri‑tjetrin: “Ç’i ndodhi djalit të Cisit? Po a mos është edhe Sauli profet”? 12 Një njeri vendës pyeti: “Kush është babai i tyre”? Këndej edhe u bë thënia e popullit: “Pse, edhe Sauli është një ndër profetët”?

13 Por Sauli pushoi së profetizuari e erdhi në Gabaa. 14 Ungji i Saulit i pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: “Ku keni qenë”? Ai iu përgjigj: “Për të kërkuar gomaricat e, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli”. 15 Atëherë i tha ungji i tij: “Më trego ç’të ka thënë Samueli”? 16 Sauli i tha të ungjit: “Na tregoi se ishin gjetur gomaricat”. Por nuk i tregoi asnjë fjalë lidhur me ç’i tha Samueli për mbretëri.

Sauli zgjidhet me short për mbret

17 Samueli e thirri popullin te Zoti në Masfë 18 dhe u tha bijve të Izraelit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Unë i nxora bijtë e Izraelit prej Egjiptit dhe ju shpëtova prej dorës së egjiptianëve e prej dorës së të gjitha mbretërive që ju mundonin. 19 E ju sot e përbuzët Hyjin tuaj që i vetmi ju shpëtoi prej të gjitha të këqijave dhe vështirësive tuaja e thatë: ‘Assesi, por na cakto një mbret!’ Tani, vëruni në rresht sipas fiseve e sipas barqeve tuaja”!

20 Samueli i bëri të afroheshin të gjitha fiset e Izraelit. Shorti ra mbi fisin e Beniaminit. 21 Bëri të afrohej fisi i Beniaminit e vëllazëritë e tija. Shorti ra në vëllazërinë e Metriut. Shorti i ra Saulit, birit të Cisit. E kërkuan Saulin, por nuk e gjetën. 22 Atëherë u këshilluan me Zotin nëse a do të ketë ardhur ai njeri aty ndopak. Zoti u përgjigj: “Ja, është fshehur ndër rrobat”! 23 U lëshuan vrap dhe e morën prej andej. Qëndroi në mes të popullit dhe ngalliste përmbi mbarë popullin që prej krahëve e lart.

24 Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: “A po shihni kë ka zgjedhur Zoti? S’ka shoq në mbarë popullin”!

Mbarë populli brohoriti: “Rroftë mbreti”!

25 Atëherë Samueli i kumtoi popullit të drejtat e mbretit, i shkroi në libër dhe e vendosi para Zotit. Pastaj Samueli nisi popullin, secilin në shtëpinë e vetë.

26 Po ashtu edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij në Gaba. Me të shkuan edhe trimat e fortë, të cilëve Zoti ua preku zemrën. 27 Por disa njerëz të pavlerë, thanë: “A thua ky do të mund të na shpëtojë”? E përbuzën dhe nuk i çuan dhurata. Ai bëri sikur s’dëgjoi.

1 i Samuelit: 11. Fitorja kundër amonitëve

11

1 Kur ja, u ngrit Naas Amoniti për të luftuar kundër Jabesit të Galaadit. Të gjithë njerëzit e Jabesit i çuan fjalë Naasit: “Na prano për aleatë e do të të shërbejmë”. 2 Naasi Amonit u përgjigj: “Kështu do të bëj besëlidhje me ju: secilit prej jush do t’ia nxjerr syrin e djathtë e kështu do ta turpërojë mbarë Izraelin”. 3 Por krerët e Jabesit i thanë: “Na jep shtatë ditë afat që të dërgojmë lajmëtarë në të gjitha skajet e Izraelit e, në mos u gjettë kush që na mbron, do të dalim e do të të dorëzohemi ty”.

4 Erdhën, pra, kasnecët në Gaba të Saulit dhe i treguan të gjitha fjalët para popullit. Mbarë populli plasi në vaj me zë. 5 Kur ja, po vjen Sauli pas qeve prej fushës dhe pyeti: “Ç’ka populli që po qan”? Ata i treguan fjalët e burrave të Jabesit. 6 Kur i dëgjoi Sauli këto fjalë, e pushtoi shpirti i Zotit dhe zemërimi i tij u ndez flakë. 7 Mori një pendë qe, i preu copa‑copa dhe me dorë të lajmëtarëve i dërgoi në çdo vend të Izraelit me këtë porosi: “Kush të mos dalë në luftë dhe të mos ndjekë Saulin e Samuelin, qetë e tij do t’ia gjejë ky nder”. Popullin e kapi frika e Zotit dhe dolën në luftë si të ishin një njeri i vetëm. 8 Në Bezek i numëroi: ishin izraelitë treqind mijë, kurse prej Judës tridhjetë mijë. 9 Pastaj Sauli u tha kasnecëve: “Kështu thoniu trimave që janë në Jabes të Galaadit: Nesër, kur të nxejë dielli, do t’ju vijë shpëtimi”.

Lajmëtarët shkuan dhe u lajmëruan njerëzve të Jabesit. Ata u gëzuan 10 e i çuan fjalë Naasit: “Nesër në mëngjes do të dalim tek ju dhe bëni me ne si t’ju pëlqejë juve”.

11 Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tri njësi dhe, në të zbardhur të agimit, u sul në mes të fushimit dhe i vrau amonitët derisa nisi të nxejë dielli. Të tjerët u shpërndanë, kështu që s’mbetën as dy vetë së bashku.

Sauli shpallet mbret

12 Atëherë populli i tha Samuelit: “Kush është ai që tha:’A thua Sauli do të mbretërojë mbi ne’? Sillni këtu ata njerëz e do t’i vrasim”! 13 Atëherë tha Sauli: “Ditën e sotme të mos vritet askush, sepse sot Zoti e shpëtoi Izraelin”! 14 Pastaj Samueli i tha popullit: “Ejani të shkojmë në Galgalë e ta ripërtërijmë mbretërinë”.

15 Mbarë populli shkoi në Galgalë dhe, ata, para Zotit, e bënë mbret Saulin në Galgalë. Aty kushtuan flitë e pajtimit para Zotit. Aty Sauli, bashkë me mbarë Izraelin, bëri festë të madhe fort.

1 i Samuelit: 12. Samueli tërhiqet para Saulit

12

1 Atëherë Samueli i tha mbarë Izraelit: “Ja, jua dëgjova fjalët tuaja dhe gjithë ç’kërkuat prej meje, jua vura mbretin. 2 Që tani para jush do të shkojë mbreti. Unë tashmë jam plakur e thinjur dhe djemtë e mi tani janë me ju. Unë ju kam prirë që nga rinia ime e deri tani. 3 Ja, këtu jam para jush: dëshmoni para Zotit e para të shuguruarit të tij: a i kam marrë kujt ndonjë ka ose gomar, a i kam mbetur kujt në qafë, a kam shtypur ndokënd, a kam marrë prej ndokujt ndonjë dhuratë për t’i mbyllur sytë e mi lidhur me çështjen e tij: jam i gatshëm të përgjigjem”. 4 Ata u përgjigjën: “As s’na ke mbetur në qafë, as s’ke shtypur ndokënd, as s’ke marrë prej kujt dhurata”. 5 E shtoi: “Dëshmitar është Zoti kundër jush e dëshmitar është i shuguruari i tij se nuk keni gjetur gjë në dorën time ditën e sotme”? Ata u përgjigjën: “Ashtu është”!

6 Samueli shtoi e i tha popullit: “Dëshmitar është Zoti, që i përdori Moisiun e Aronin e i nxori etërit tanë prej Egjiptit. 7 Tani qëndroni e dëgjoni t’jua përkujtoj para Zotit të gjitha mëshirat e Zotit që i kreu për ju e për etërit tuaj: 8 si hyri Jakobi në Egjipt e egjiptianët i shtypën. Etërit tuaj i lëshuan kushtrimin e Zotit e Zoti dërgoi Moisiun e Aronin dhe i nxori etërit tuaj nga Egjipti dhe i vendosi në këtë vend.

9 Ata e harruan Zotin, Hyjin e vet, dhe ai i lëshoi në dorë të Sisarës, prijësit të ushtrisë së Asorit. Pastaj në duar të filistenjve e në dorë të mbretit të Moabit, të cilët luftuan kundër tyre. 10 Pastaj i bënë kushtrimin Zotit e thanë: ‘Mëkatuam që e lamë Zotin dhe u shërbyem baalëve dhe astarotëve e Tani na shpëto prej duarve të armiqve tanë e do të të shërbejmë vetëm ty”. 11 E Zoti dërgoi Jerobbaalin dhe Barakun, Jefteun e Samuelin dhe ju shpëtoi prej duarve të armiqve tuaj përreth dhe jetuat në qetësi.

12 Por, kur patë se Naasi, mbreti i bijve të Amonit, po vjen kundër jush, ju më thatë:’Jo, mbreti duhet të sundojë mbi ne!’, e pra, Zoti, Hyji juaj, sundonte mbi ju. 13 Tani, pra, këtu tek është mbreti juaj, që e zgjodhët dhe e kërkuat: ja, pra, Zoti jua dha mbretin. 14 Nëse do ta druani Zotin e nëse do t’i shërbeni, nëse do ta dëgjoni zërin e tij dhe nëse nuk do ta përbuzni fjalën e Zotit, atëherë po do ta ndiqni ju dhe mbreti që mbi ju mbretëron, Zotin, Hyjin tuaj. 15 Por, nëse nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit, por do ta përbuzni fjalën e Zotit, dora e Zotit do të jetë mbi ju e mbi mbretin tuaj për t’jua humbur farën.

16 Por edhe tani zini vend e vëreni mirë një shenjë të madhe që do ta bëjë Zoti para syve tuaj. 17 Pse, a nuk është sot korrja e grurit? Unë do ta thërras Zotin e ai do të çojë bubullimë e shira, dhe do të shihni se bëtë një të keqe të madhe para syve të Zotit kur kërkuat për vete mbret.

18 Atëherë Samueli iu lut Zotit e Zoti çoi bubullimë e shi po atë ditë. 19 Popullin e kapi frikë tejet e madhe e Zotit dhe e Samuelit dhe mbarë populli i tha Samuelit: “Lutiu për shërbëtorët e tu Zotit, Hyjit tënd, që të mos vdesim. Të gjitha mëkateve tona ua shtuam edhe këtë të keqe që kërkuam për ne mbretin”.

20 Por Samueli i tha popullit: “Mos kini frikë”! Vërtet, që ju i bëtë të gjitha këto të këqija, por megjithatë, tashmë mos u largoni prej Zotit e shërbejini Zotit me gjithë zemrën tuaj 21 dhe mos shkoni pas idhujve të kotë, të cilët nuk do t’ju ndihmojnë as nuk do të mund t’ju shpëtojnë, sepse janë të kotë. 22 Me siguri Zoti nuk do ta lëshojë dore popullin e vet për nder të emrit të vet të madhërueshëm, sepse ai vetë u denjua t’ju bëjë popull të vetin. 23 E qoftë larg meje të mëkatoj kundër Zotit që të pushoj të lutem për ju e të mos jua mësoj rrugën e mirë e të drejtë. 24 Prandaj, druani Zotin dhe shërbejini atij me besnikëri e me gjithë shpirt, sepse i patë veprat e madhërishme që i kreu në mesin tuaj! 25 Por, përkundrazi, nëse do të qëndroni duke bërë keq, ju, dhe me ju së bashku mbreti juaj, do të sharroni”.

1 i Samuelit: 13. Kryengritja kundër filistenjve

13

1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi njezet vjet mbi Izraelin.

2 Sauli zgjodhi për vete tre mijë izraelitë: me Saulin qëndronin dy mijë vetë në Makmas e në malin Betel, kurse një mijë vetë ishin me Jonatanin në Gabà të Beniaminit. Mbarë popullin tjetër e lëshoi të shkonte secili në shtëpinë e vet.

3 Jonatani e vrau rojën e filistenjve që ishte në Gabà. Filistenjtë e morën vesh. Sauli i ra borisë në mbarë Izraelin duke kumtuar: “Le ta dinë hebrenjtë”! 4 Në mbarë Izraelin u hap zëri: “Sauli e vrau rojën e filistenjve! Izraeli ka rënë në armiqësi me filistenj”. Prandaj populli u mblodh në Galgalë pas Saulit.

5 Edhe filistenjtë u bashkuan për të luftuar kundër Izraelit. Ishin tri mijë karroca lufte, gjashtë mijë kalorës, kurse populli tjetër i shumtë si rëra që është në bregun e detit. U ngjitën dhe ngulën fushimin në Makmas, në krahun e lindjes të Betavenit. 6 Kur e panë bijtë e Izraelit se e kishin punën pisk ‑ sepse populli u ligështua për së tepërmi, disa u fshehën nëpër shpella e nëpër pyje, nëpër qeta e nëpër gërdhata e nëpër cisterna. 7 Disa hebrenj kaluan edhe përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Galaadit.

Këputja mes Samuelit e Saulit

Sauli ishte ende në Galgalë dhe popullin që ishte me të, e kishte kapluar një tmerr i madh. 8 Ai priti shtatë ditë, si kishte caktuar Samueli të vinte në takim, por Samueli nuk erdhi në Galgalë. Populli filloi të shpërndahet prej tij. 9 Prandaj Sauli tha: “M’i sillni këtu flitë e shkrumbimit e të pajtimit”! Dhe ai kushtoi flinë e shkrumbimit.

10 Dhe, ndërsa po i jepte fund flisë së shkrumbimit, ja, po vinte Samueli. Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.

11 Samueli i tha: “Ç’ke bërë”? Sauli iu përgjigj: “Kur pashë se populli po shpërndahej prej meje e kur pashë se edhe ti nuk po vije brenda ditëve që ke caktuar ti vetë e, pastaj, kur pashë se filistenjtë janë bashkuar në Makmas, 12 thashë: Tani do të zbresin kundër meje filistenjtë në Galgalë dhe unë ende nuk e kam kryer lutjen ndaj Zotit, i shtrënguar nga nevoja, kushtova flinë e shkrumbimit”.

13 Samueli i tha Saulit: “Ke vepruar marrëzisht! Oh, sikur t’u ishe përmbajtur urdhërimeve të Zotit, Hyjit tënd, që t’i dha! Me siguri tani Zoti do ta kishte përforcuar mbretërinë tënde për amshim mbi Izraelin. 14 Por mjerisht mbretëria jote nuk do të qëndrojë assesi! Zoti kërkoi një tjetër njeri sipas zemrës së vet. Zoti atë edhe e vuri prijës mbi popullin e vet. Shkaku është pse ti nuk i kreve ç’të ka urdhëruar Zoti”.

15 Samueli u ngrit, e la Galgalën dhe shkoi në punë të vet. Populli tjetër shkoi pas Saulit për t’u ndeshur me ushtrinë në luftë. Prej Galgalës shkuan në Gabà të Beniaminit. Sauli numëroi popullin që ishte me të: ishin diku gjashtëqind burra.

Përgatitja për luftë

16 Sauli e Jonatani, djali i tij, si dhe populli që ishte me të, ishin në Gabà të Beniaminit, kurse filistenjtë kishin ngulur fushimin në Makmas. 17 Prej fushimit të filistenjve dolën për të plaçkitur tri çeta: njëra çetë shkonte drejt Efrës në tokën Sual, 18 tjetra drejt Betoronit, ndërsa çeta e tretë kishte marrë drejtimin nga lugina Seboim përballë shkretëtirës.

19 E në mbarë dheun e Izraelit nuk kishte farkëtarë, sepse filistinët ishin kujdesur që hebrenjtë të mos punonin shpata e heshta. 20 Kështu mbarë Izraelit i duhej të shkonte te filistenjtë për të mprehur pallën, o capën, sakicën ose draprin. 21 E çmimi i mprehjes ishte: për pallë e për capë dy pjesë të siklit, kurse për të mprehur sakicën e për të ndrequr strumbullarin e treta pjesë e siklit. 22 Kështu, kur erdhi dita e luftës së Makmasit, në dorë të mbarë popullit nuk u gjet as shpatë as heshtë, të popullit që ishte me Saulin e me Jonatanin, me përjashtim të Saulit e të Jonatanit.

23 Ndërkaq një njësit e filistenjve kishte dalë drejt grykës së Makmasit.

1 i Samuelit: 14. Jonatani e sulmon rojën

14

1 Një ditë Jonatani, biri i Saulit, po i thotë armëmbajtësit të vet: “Eja e të shkojmë te roja e filistenjve që e kemi këtu përballë”. Të atit nuk ia tregoi këtë gjë. 2 Sauli qëndronte në pjesën e skajme të Gabasë nën shegën që ishte në Magron. Me të ishin rreth gjashtëqind vetë prej popullit. 3 Akia, biri i Akitobit, i të vëllait të Ikabodit, të birit të Fineesit, që kishte lindur prej Heliut, priftit të Zotit, prej Silos, mbante efodin. Por as populli nuk e dinte se Jonatani kishte shkuar.

4 Përpjetës nëpër të cilën Jonatani mendonte të afrohej për ta sulmuar postën e filistenjve ishte nga një dhëmb qete në njërën anë dhe në tjetrën anë: njëri quhej Boses e tjetri Sene, 5 njëri shkëmb ishte në anën e veriut, në anën e Makmasit e tjetri në jug, përballë Gabasë. 6 Jonatani i tha djaloshit, armëmbajtësit të vet: “Eja të kalojmë te roja e këtyre rrethpaprerëve, sepse ndoshta Zoti do të bëjë ndonjë gjë për ne, sepse Zoti nuk e ka të vështirë të na shpëtojë si në qofshin shumë, si në qofshin pak”. 7 Armëmbajtësi i tij iu përgjigj: “Bëj gjithsi të të pëlqejë ty. Nisu ngado të dëshirosh, unë do të jem me ty gjithkund ku të duash”. 8 Jonatani i tha: “Ja, ne po kalojmë te këta njerëz. Nëse kur të na vënë re, 9 do të na thonë:’Prisni atje derisa të vijmë tek ju’, atëherë do të ndalemi aty ku do të ndodhemi e nuk do të ngjitemi tek ata; 10 e nëse do të thonë: ‘Ngjituni tek ne’, do të ngjitemi, sepse Zoti na i ka lëshuar në duar tona. Kjo do të jetë shenja jonë”.

11 Të dy dolën që të shihen nga roja e filistenjve. Filistenjtë thanë: “Ja, hebrenjtë po dalin prej shpellave ku ishin fshehur”. 12 Njerëzit e postës folën me Jonatanin e me armëmbajtësin e tij e thanë: “Ngjituni tek ne e do t’ju tregojmë diçka”. Jonatani i tha armëmbajtësit të vet: “Të ngjitemi! Eja pas meje, sepse Zoti i lëshoi në duar të Izraelit”!

13 U ngjit, pra, Jonatani duke u kacavarur me duar e me këmbë dhe armëmbajtësi i tij pas tij. Filistinët binin para Jonatanit e armëmbajtësi i tij i vriste pas duke ndjekur atë. 14 Dhe u bë kërdia e parë, në të cilën Jonatani e armëmbajtësi i tij vranë rreth njëzet vetë në një vend ‑ një gjysmë pendë qesh arë.

Lufta e përgjithshme

15 Atëherë u hap tmerri në fushim, në fushë. Një frikë e madhe kaploi edhe mbarë popullin nëpër postat e tyre dhe çetat që kishin dalë për të plaçkitur. Po edhe toka u trand dhe ishte një tmerr hyjnor që e kaploi vendin. 16 Po edhe vrojtuesit e Saulit që ishin në Gabanë e Beniaminit, vunë re se në fushim ushtria po lëvizte andej ‑ këndej e po ikte. 17 Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: “Shikoni e hetoni kush është larguar prej nesh.” Kur shikuan, gjetën se nuk ishte aty Jonatani dhe armëmbajtësi i tij. 18 Atëherë Sauli i tha Akisë:”Merre shpinorin!” Sepse ai e mbante shpinorin ato ditë në praninë e bijve të Izraelit. 19 Ndërsa Sauli po bisedonte me priftin, po bëhej një pështjellim i madh në llogoret e filistenjve; shkonte dalëngadalë duke u rritur edhe zhurma bëhej më e qartë. Sauli i tha priftit: “Tërhiqe dorën”! 20 Atëherë Sauli dhe mbarë populli që ishte me të, u ngritën dhe shpejtuan në vendin e luftës. Kur, ç’të shikosh! Të gjithë kishin ngritur shpatën kundër njëri‑tjetrit! Ishte një pështjellim tejet i madh! 21 Madje edhe hebrenjtë, të cilët që më parë ishin në shërbim të filistenjve e kishin shkuar me ta në ushtri, edhe ata e lëshuan ushtrinë e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e me Jonatanin. 22 Gjithashtu edhe të gjithë izraelitët që ishin fshehur në malet e Efraimit, kur dëgjuan se kishin ikur filistenjtë, edhe ata u bashkuan me të vetët në luftë. 23 Zoti atë ditë e shpëtoi Izraelin. Lufta u shtri deri përtej Betavenit.

Një ndalim i Saulit prishur prej Jonatanit

24 Izraelitët ishin të lodhur e të këputur atë ditë dhe Sauli kishte lëshuar këtë mallkim mbi mbarë popullin: “Qoftë mallkuar ai njeri që të hajë bukë deri në mbrëmje, derisa të hakmerrem kundër armiqve të mi”. Mbarë populli nuk hëngri bukë.

25 Mbarë populli arriti në një grykë mali pyjor, ku gjithkund nëpër tokë kishte fashoj mjalti. 26 Hyri, pra, populli në atë pyll dhe panë se si rridhte mjalti: por askush nuk e çoi dorën te goja, sepse populli e druante mallkimin.

27 Porse Jonatani nuk e kishte dëgjuar t’anë kur e kishte përberë popullin, shtriu majën e shkopit që kishte në dorë dhe e ngjeu në fashuall të mjaltit, atëherë e afroi dorën te goja dhe sytë e tij u bënë të qartë. 28 Atëherë dikush prej popullit i tha: “Me përbetim yt atë e shtrëngoi popullin e tha: ‘Qoftë mallkuar kush do të hajë sot! E pra, populli u mek”.

29 Jonatani tha: “Im atë po i sjell fatkeqësi vendit! A po shihni si më ndriçuan sytë pse kërkova një pikë kësi mjalti. 30 Ç’do të kishte ndodhur po të kishte ngrënë populli nga preja që i mori armikut sot?! A nuk do të ishte bërë një kërdi edhe më e madhe mbi filistinët”?

Kundërvajtje rituale e popullit

31 Atë ditë i vranë e bënë një emnesë mbi filistenj prej Makmasit e deri në Ajalon, porse populli u lodh e u këput. 32 Atëherë iu lëshua presë e të morën dele, lopë e viça e t’i prenë ashtu për tokë dhe populli e hëngri mishin me gjak. 33 E lajmëruan Saulin e i thanë: “Ku e le, se populli po ha me gjak! Po mëkaton kundër Zotit”!

Ai tha: “E lëshuat rrugën! Ma rrokullisni atë gur të madh këtu”! 34 E shtoi: “Hyni në popull e thoniu le të bjerë secili kaun ose dashin e vet dhe le ta presë këtu mbi gur e hani dhe mos mëkatoni kundër Zotit duke ngrënë mish me gjak”. Atëherë të gjithë prej popullit sollën çka u ishte gjendur për doresh atë mbrëmje dhe i prenë aty. 35 Sauli ndërtoi një lter për nder të Zotit. Ishte hera e parë që filloi të ndërtojë lter për nder të Zotit.

Jonatani shpallet fajtor, por e shpëton populli

36 Atëherë Sauli tha: “Të sulemi kundër filistenjve sonte e të çetojmë deri në mëngjes dhe të mos lëmë asnjë mashkull gjallë”! Populli iu përgjigj: “Bëj gjithsi të duket se është mirë”! Prifti tha: “Të afrohemi këtu tek Hyji”. 37 Sauli kërkoi këshillë prej Hyjit: “A ta ndjek Filisteun? A do t’i lëshosh në duar të izraelitëve”? Por atë ditë Hyji nuk iu përgjigj. 38 Sauli urdhëroi: “Le të vijnë këtu të gjithë prijësit e popullit! Le të shqyrtohet dhe le të shihet për faj të kujt ndodhi sot ky mëkat. 39 Pasha Zotin e gjallë, Shpëtimtarin e Izraelit, në qoftë se e ka bërë edhe Jonatani, im bir, patjetër do të vdesë”! Askush prej popullit nuk deshi t’i përgjigjej Saulit.

40 Atëherë Sauli i tha mbarë Izraelit: “Dilni ju në njërën anë dhe unë e Jonatani, im bir, në anën tjetër.” Populli iu përgjigj Saulit: “Bëj si të duket se është mirë”!

41 Sauli iu lut Zotit, Hyjit të Izraelit: “Pse nuk iu përgjigje sot shërbëtorit tënd? Nëse faji është në mua ose në Jonatanin, djalin tim, o Zot, Hyji i Izraelit, jep Urim; por, nëse ky faj është në popullin tënd, Izraelin, jep Tummim”. Doli që faji ishte në Jonatanin e në Saulin, kurse populli doli i lirë. 42 Sauli tha: “Qiteni shortin ndërmjet meje e Jonatanit, djalit tim”. Shorti ra mbi Jonatanin.

43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: “Më trego ç’ke bërë”. Jonatani i tregoi e tha: “Me majën e shkopit që kisha në dorë kam kërkuar ca pika mjaltë. Tani jam gati të vdes”!

44 E Sauli vazhdoi: “Mua Zoti ma qoftë këtë të keqe e shtoftë edhe më të mëdha, nëse s’do të vritesh, o Jonatan”!

45 Populli i tha Saulit: “Pra, u dashka të vdesë Jonatani që i solli Izraelit këtë fitore të madhe!? Do të ishte turp e faqe e zezë! Pasha Zotin, fije floku prej kresë së tij s’do të bjerë në tokë, sepse sot Hyji ka vepruar me të”!

Kështu populli e shpëtoi Jonatanin prej vdekjes.

46 Sauli u tërhoq dhe nuk i ndoqi filistenjtë. Filistenjtë u kthyen në vendin e vet.

Mbretërimi i Saulit

47 Sauli, si e përforcoi mbretërinë mbi Izraelin, vazhdoi të luftonte kundër të gjithë armiqve të tij që ishin përreth. Kundër Moabit, bijve të Amonit, të Edomit, kundër mbretit të Sobës e kundër filistinëve, dhe kundër kujtdo që mësynte, ngadhënjente. 48 Luftoi si burrat dhe e goditi Amalekun e shpëtoi Izraelin prej duarve të atyre që e cubnonin.

49 Sauli kishte djem: Jonatanin, Jesujin e Melkisuën. Dy vajzat e tij quheshin: e madhja Merobë e vogla Mikolë. 50 Gruaja e Saulit quhej Akinoamë. Ishte e bija e Akimaasit. Emri i prijësit të ushtrisë së tij Abner. Ishte i biri i Nerit, ungjit të Saulit. 51 Sepse Cisi, babai i Saulit dhe Neri, babai i Abnerit, qenë bijtë e Abielit.

52 Gjatë krejt jetës së Saulit u bë luftë e ashpër kundër filistenjve. Sauli këdo shihte të ishte burrë i fortë e luftëtar i zoti, e merrte në ndjekësorinë e vet.

1 i Samuelit: 15. Lufta e shenjtë kundër amalekasve

15

1 Samueli i tha Saulit: “Zoti më dërgoi që të të lyej për mbret mbi Izraelin, popullin e vet. Pra, tani, dëgjoje zërin e Zotit. 2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kam para sysh gjithçka i ka bërë Amaleku Izraelit: si e pengoi në udhëtim kur po ngjitej nga Egjipti. 3 Tani shko e shpartalloje Amalekun dhe dëno me shfarosje gjithçka ka. Mos ki mëshirë për të: as për trim, as për grua, as për fëmijë, as për foshnjë, por vritii deri edhe lopë e dele, deve e gomar’”.

4 Atëherë Sauli e bashkoi popullin dhe në Telem i numëroi: dyqind mijë këmbësorë e dhjetë mijë burra nga Juda. 5 Kur erdhi Sauli te qyteti i Amalekut, vuri pritat në përrua 6 e Sauli i çoi fjalë Cineut: “Largohuni, ndahuni dhe ikni prej Amalekut, që të mos ju vras edhe ju bashkë me amalekas, sepse ju u dëftuat të dhimbshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur dolën prej Egjiptit”.

Cineasit u ndanë prej amalekasve.

7 Sauli e goditi Amalekun prej Hevilës e deri në Sur që është përballë Egjiptit. 8 E kapi gjallë Agagun, mbretin e Amalekut, kurse mbarë popullin e kaloi nën teh të shpatës. 9 Por Sauli kurseu Agagun dhe grigjat e mira të deleve e të gjedhit, d. m. th. bagëtitë e majme e qengjat dhe të gjitha ato që ishin të bukura dhe nuk deshën t’i shuajnë, kurse gjithçka ishte e ligshtë dhe e dobët, e shfarosën.

Sauli përbuzet prej Zotit

10 Atëherë i qe drejtuar Samuelit kjo fjalë e Zotit: 11 “Jam penduar që e bëra Saulin mbret, sepse ai më la mua dhe nuk i bëri vepër fjalët e mia”.

Samuelit i erdhi shumë keq dhe iu lut Zotit gjithë natën.

12 Samueli u ngrit menatë që të shkonte të takohej me Saulin në mëngjes. Samuelin e njoftuan se Sauli kishte shkuar në Karmel dhe atje kishte ngritur për vete një përmendore dhe se pastaj kishte vazhduar e kishte zbritur në Galgalë. 13 Kur Samueli shkoi te Sauli, Sauli e përshëndeti: “Qofsh bekuar prej Zotit! Kam zbatuar fjalën e Zotit”.

14 Por Samueli i tha: “E çka është kjo blegërimë grigjash që po më ushton në veshë dhe ajo pallje gjedhi që po dëgjoj”?

15 Sauli ia ktheu: “I sollën prej Amalekut. Populli i kurseu delet e mira dhe lorinë për t’ia kushtuar Zotit, Hyjit tënd: të tjerat i premë”.

16 Por Samueli i tha Saulit: “Prit të të tregoj se ç’më ka thënë Zoti sonte”. Ia priti: “Fol”! 17 E Samueli vazhdoi: “A s’ është e vërtetë se, kur ishe i vogël, në sytë e tu, qe bërë krye në fiset e Izraelit? Zoti të leu mbret mbi Izraelin 18 dhe Zoti të nisi në rrugë e të tha: ‘Shko e vriti mëkatarët amalekas dhe lufto kundër tyre deri në shfarosje të tyre’? 19 Pse atëherë nuk e dëgjove fjalën e Zotit, por të pëlqeu preja dhe bëre ç’është e keqe para syve të Zotit”?

20 Sauli iu përgjigj Samuelit: “Po si s’e kam dëgjuar zërin e Zotit? Unë shkova atje ku më dërgoi Zoti. E solla Agagun, mbretin e Amalekut dhe amalekasit i shfarosa. 21 Populli prej presë mori dele e lopë, ato më të mirat, dhe u prenë për t’ia flijuar Zotit, Hyjit tënd, në Galgalë”.

22 E Samueli iu përgjij:

“Pse a ndoshta Zoti i parapëlqen flitë e shkrumbimit e theroret

më fort se të dëgjohet fjala e tij?

Më e mirë është dëgjesa se therorja,

më mirë të dëgjosh se dhjami i deshëve.

23 Për të vërtetë kundërshtimi është i keq si magjia,

e të tekurit kobësi idhujtarie:

për arsye se e përbuze fjalën e Zotit,

Zoti të përbuzi ty: më s’do të jesh mbret”!

Sauli kërkon falje kot

24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: “Mëkatova se iu shmanga fjalës së Zotit e fjalëve të tua. E druajta popullin dhe dëgjova zërin e tij. 25 Por tani, po të lutem, shlyeje mëkatin tim dhe kthehu me mua t’i jap adhurim Zotit”.

26 Por Samueli iu përgjigj Saulit: “S’do të kthehem me ty, sepse e përbuze fjalën e Zotit dhe sepse Zoti të përbuzi ty që të mos jesh më mbret mbi Izraelin”.

27 E Samueli bëri të largohej, sepse Sauli ia kapi kindin e zhgunit që iu shqye. 28 Samueli i tha: “Sot edhe Zoti shqeu prej teje mbretërinë e Izraelit dhe ia dhuroi të afërmit tënd që është më i mirë se ti. 29 Por Lavdia e Izraelit nuk gënjen dhe nuk pendohet, sepse Ai nuk është njeri që do të pendohej”.

30 Sauli iu lut: “Mëkatova. Por tani më ndero ndër sy të prijësve të popullit tim e të Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj Zotin, Hyjin tënd”. 31 Samueli u kthye me Saulin e Sauli adhuroi Zotin.

Vdekja e Agagut dhe nisja e Samuelit

32 Samueli tha: “Silleni tek unë Agagun, mbretin e Amalekut”. Ia sollën Agagun që e kishin kapur të dridhurat. Agagu tha: “Me siguri kaloi hidhërimi i vdekjes”! 33 Samueli i tha: “Sikurse shpata jote i la nënat pa fëmijë, po ashtu edhe nëna jote ndër gra le të mbesë pa fëmijë”! Samueli e copëtoi Agagun në Galgalë para Zotit.

34 Atëherë Samueli shkoi në Ramë, kurse Sauli u ngjit në shtëpinë e vet në Gabanë e Saulit.

35 Samueli nuk e pa më Saulin deri ditën e vdekjes së vet. Samueli e qante shumë Saulin, sepse Zoti ishte penduar që e kishte bërë mbret mbi Izrael.

1 i Samuelit: 16. Shugurimi i Davidit

16

1 Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Isai betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”. 2 Samueli i tha: “Po si të shkoj? Do të dëgjojë Sauli e do të më vrasë”. E Zoti i tha: “Merre me vete një viçe e thuaj: ‘Erdha të flijoj për nder të Zotit’. 3 Thirre në fli Isain dhe atëherë unë do të të tregoj se çfarë të duhet të bësh. Pastaj lyeje atë që të të them unë”.

4 Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Pleqtë e qytetit i kapi frika, i dolën para dhe i thanë: “A është e paqme hyrja jote”? 5 Ai u përgjigj: “E paqme. Erdha për t’i bërë kushtim Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua që të flijoj”. Pastaj shenjtëroi Isain dhe bijtë e tij dhe i grishi ata në fli.

6 Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”. 7 Por Zoti i tha Samuelit:”Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”. 8 Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e solli para Samuelit, i cili tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti”. 9 Isai e solli Samën, për të cilin tha: “As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti”. 10 Kështu Isai i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Isait: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.

11 Samueli i tha përsëri Isait: “A janë vetëm këta bijtë e tu”? Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”. Samueli i tha Isait: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”. 12 Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”.

13 Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë.

Davidi në shërbim të Saulit

14 Shpirti i Zotit ishte larguar prej Saulit dhe e trazonte një shpirt i keq i dërguar prej Zotit. 15 Atëherë shërbëtorët e tij i thanë Saulit: “Ti po sheh se po të mundon një shpirt i keq i dërguar prej Zotit. 16 Le të japë urdhër zotëria ynë, dhe shërbëtorët e tu, që janë pranë teje, do të kërkojnë një njeri që di t’i bjerë harpës, me qëllim që, kur të të pushtojë shpirti i keq i dërguar prej Hyjit, ai t’i bjerë harpës e ti do të bëhesh më mirë”.

17 Sauli u tha shërbëtorëve të vet: “Më gjeni një njeri që di t’i bjerë bukur harpës e ma sillni tek unë”. 18 Njëri prej shërbëtorëve iu përgjigj e tha: “Unë e kam parë njërin djalë të Isait betlehemas: ai di t’i bjerë harpës. Është burrë i fortë dhe trimaloç, gojëmbarë dhe burrë i pashëm. Dhe Zoti është me të”.

19 Kështu pra, Sauli dërgoi lajmëtarë tek Isai e i tha: “Dërgoje tek unë tët bir, Davidin, që merret me grigjën”.

20 Isai mori gomarin, ca bukë, një rrëshiq me verë dhe një edh dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, djalit të vet. 21 Davidi shkoi te Sauli dhe qëndroi para tij. Saulit i pëlqeu dhe e bëri armëmbajtës të vet. 22 Sauli dërgoi njerëzit tek Isai e i tha: “Le të qëndrojë Daviti tek unë, sepse po më pëlqen”.

23 Kështu, sa herë që e sulmonte shpirti i Hyjit Saulin, Davidi e merrte harpën e i binte dhe Sauli binte në qetësi, e ndiente veten më mirë: shpirti i keq largohej prej tij.

1 i Samuelit: 17. Goliati e ngacmon ushtrinë izraelite

17

1 Filistenjtë i bashkuan togat e veta për luftë. U mblodhën në Soko të Judës dhe fushimin e ngulën ndërmjet Sokos e Azekës në Efesdomim. 2 Po edhe Sauli dhe trimat e Izraelit u mblodhën e erdhën në luginën e Terebintit dhe u vunë në rreshta për të luftuar kundër filistinëve. 3 Filistinët qëndronin në njërën anë të malit e izraelitët në anën tjetër të malit, ndërmjet kishin luginën.

4 Doli një dyluftues prej aradheve të filistenjve, me emrin Goliati prej Getit. Ishte i lartë gjashtë kute e një pëllëmbë. 5 Mbi kokë kishte përkrenaren e bronztë, vishej me pancir me luspa; vetëm panciri i peshonte pesë mijë sikla bronzi. 6 Ishte i mbathur me bronz deri në ijë e krahaqafë mbante një heshtëz bronzi. 7 Shtiza e heshtës së tij ishte si shul tezgjahu, kurse vetë hekuri i heshtës së tij peshonte gjashtëqind sikla hekuri. Përpara i shkonte shqytari i tij.

8 Qëndronte përballë togave të Izraelit e u thoshte: “Pse keni ardhur e rreshtoheni për të luftuar? Pse, a nuk jam unë filisteas e ju shërbëtorët e Saulit? Zgjidhni ju një njeri prej jush dhe le të më dalë në dyluftim! 9 Nëse guxon të luftojë me mua dhe nëse më fiton, do të jemi skllevërit tuaj; e nëse do ta mund unë, ju do të jeni skllevërit tanë e do të na shërbeni”.

10 Filisteu shtonte: “Unë sot po i hedh mollën e dyluftimit aradhes së Izraelit: Nxirreni njeriun që do të hyjë në dyluftim me mua”.

11 Kur Sauli e të gjithë izraelitët i dëgjuan fjalët e filisteut, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe.

Davidi arrin në fushim

12 Davidi ishte djali i një efratasi, për të cilin u fol më lart, nga Betlehemi i Judës, që quhej Isai. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ky ishte burrë i vjetër e i shtyrë në moshë. 13 Tre djemtë e tij të mëdhenj kishin shkuar në luftë pas Saulit. Emrat e tre djemve të tij që kishin shkuar në luftë, ishin: Eliabi, djali i madh, i dyti Abinadabi e i treti Sama. 14 Davidi ishte më i vogli. Pasi tre vëllezërit e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit ‑ 15 Davidi shkonte e kthehej prej shërbesës së Saulit për të ruajtur grigjën e t’et në Betlehem.

16 Filisteu dilte në mëngjes e në mbrëmje dhe paraqitej kështu për dyzet ditë.

17 Isai i tha Davidit, djalit të vet: “Merr për vëllezërit e tu një ef grurë të pjekur dhe këto shtatë bukë e shko me vrap te vëllezërit e tu. 18 Këto dhjetë duar djathë çoja mijëtarit të tyre; shihi vëllezërit e tu a janë mirë dhe ma sill shenjën e tyre”.

19 Sauli, vëllezërit e tij dhe të gjithë bijtë e Izraelit luftonin kundër filistenjve në luginën e Terebintit.

20 Kështu, pra, Davidi u ngrit në mëngjes, grigjën ia la në kujdes një bariu, mori ç’i kishte thënë Isai dhe shkoi. Arriti në llogor, kur ushtria po dilte në rresht beteje e po lëshonte kushtrimin e luftës. 21 Izraelët e filistenjtë i vendosën ushtritë në rresht lufte njëri kundër tjetrit. 22 Davidi i la gjërat që kishte me vete te rojtari i pajisjeve, vrapoi në vendin e rreshtimit për luftë dhe pyeti për shëndetin e vëllezërve.

23 Ndërsa ky ende po fliste me ta, doli ai dyluftuesi, që quhej Goliat, filisteu prej Getit, prej aradheve të filistenjve. Ai tha po ato fjalë. E dëgjoi Davidi. 24 E të gjithë izraelitët, kur e panë atë burrë, ikën prej tij, sepse e druanin për së tepërmi. 25 Një izraelas tha: “A e patë atë njeri që doli? Del për ta ngacmuar Izraelin. Atij burrë që ta vrasë atë, mbreti do t’i japë pasuri të madhe e i jep edhe vajzën e vet për grua, kurse shtëpinë e atit të tij e liron nga tatimet në Izrael”.

26 Atëherë Davidi i pyeti njerëzit që ishin me të: “Çka do t’i jepet atij njeriu që do ta vrasë këtë filisteas dhe do t’i zbardhë faqen Izraelit? Po, e kush është ky filiste i parrethprerë, që i poshtëron aradhet e Hyjit të gjallë?” 27 Populli i dha të njëjtën përgjigje. I thanë: “Këto e këto do t’i jepen atij që ta vrasë”.

28 Kur e dëgjoi i vëllai i tij i madhi, Eliabi, se po fliste me të tjerë, u hidhërua në Davidin e i tha: “Pse erdhe dhe kujt ia le ato dy‑tri kokë dele në mal? Unë e njoh madhështinë tënde dhe zemrën tënde të keqe! Zbrite për të parë luftën”. 29 Davidi iu përgjigj: “Ç’të keqe bëra? Pse a nuk bën as të flas”? 30 U largua pak prej tij te një tjetër, e pyeti edhe atë të njëjtën gjë dhe populli iu përgjigj po me ato fjalë, si më parë.

31 Duke dëgjuar pyetjet që bënte Davidi, menduan t’ia tregonin Saulit.

Davidi pranon të dalë në dyluftim

32 Kur e sollën te Sauli, i tha: “Askënd të mos e lëshojë zemra për shkak të atij filisteu! Unë, shërbëtori yt, do të shkoj të luftoj me atë filiste”! 33 Sauli i tha Davidit: “Ti nuk je i zoti t’i qëndrosh përballë këtij filisteu as të luftosh kundër tij, sepse ti je ende fëmijë, kurse ky është luftëtar i stërvitur që prej rinisë së tij”. 34 Por Davidi i tha Saulit: “Shërbëtori yt ruante grigjën e të atit dhe ndërkohë vinte luani ose ariu e prej grigjës merrte dashin. 35 Unë i ndiqja, i rrahja dhe ua nxirrja nga goja. Ata suleshin mbi mua e unë i kapja për turinjsh, ua përdridhja arrçin e i mbytja. 36 Me të vërtetë shërbëtori yt mbyti luan e ari. Le të jetë pra, edhe ky filiste i parrethprerë si një ndër ta, pasi ka pasur guxim të poshtërojë aradhet e ushtrisë së Hyjit të gjallë”. 37 Davidi shtoi: “Zoti që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, ai do të më shpëtojë prej duarve të këtij filisteu”. E Sauli i tha: “Shko e Zoti qoftë me ty”.

38 Sauli e veshi Davidin me petkat e veta, i vuri në kokë përkrenaren e bronztë dhe e ngjeshi me pancir. 39 I ngjeshur kështu Davidi me shpatën e tij përmbi petkat e tija, provoi të lëvizë nëse i armatosur kështu do të mund të ecte, sepse nuk ishte i mësuar. Prandaj Davidi i tha Saulit: “Nuk mund të eci kështu, sepse nuk jam i stërvitur”. Dhe i hoqi. 40 Atëherë mori kërrabën e vet në dorë, i zgjodhi pesë gurë të lehtë nga përroi, i hodhi në çantën e bariut, të cilën e përdorte si çantë gurësh, mori në dorë bahen dhe u nis drejt filisteut.

Dyluftimi

41 Pash e më pash po afrohej edhe filisteu kundër Davidit dhe po i printe armëmbajtësi i tij. 42 Filisteu, kur e pa Davidin, e përbuzi. Vërtet ishte një djalosh kuqalosh e i bukur nga pamja. 43 Filisteu i tha Davidit: “A mendon se jam unë qen që po vjen kundër meje me shkop?”, dhe shau filisteu Davidin e zotat e tij, 44 dhe i tha Davidit: “Eja tek unë e do t’ua jap mishin tënd shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit”. 45 E Davidi i ktheu përgjigje filisteut: “Ti po më sulmon me shpatë, me heshtë e me patërshanë, kurse unë sulem kundër teje në emër të Zotit të Ushtrive, Hyjit të aradheve të Izraelit, të cilët i ngacmove ti. 46 Ty sot Zoti të lëshoi në dorën time: do të të vras e do të ta këpus kokën tënde e do ta marr, kurse kufomën tënde dhe kufomat e taborreve të filistenjve do t’ua jap sot shpendëve të ajrit e egërsirave të pyllit, që ta dijë mbarë bota se ka Hyj në Izrael. 47 Le ta dijë mbarë kjo bashkësi se Zoti nuk shpëton as me shpatë as me heshtë: zotërues i luftës është ai! Ai do t’ju lëshojë në duar tona”!

48 Kur u ngrit pra, filisteu e po ecte duke iu afruar Davidit, Davidi këmbështoi e, vrap, u sul në luftim kundër filisteut. 49 Futi dorën në çantë, nxori gurin dhe e gjuajti me bahe. E qëlloi filisteun në lule të ballit dhe pesha iu ngul në ballë. Ra filisteu me fytyrë përdhe! 50 E mundi Davidi filisteun me bahe e me një gur kokërrdhak: e goditi dhe e vrau filisteun! E, pasi nuk kishte shpatë në dorë, Davidi 51 vrapoi dhe kërceu mbi filisteun, kapi shpatën e tij, e nxori nga milli i saj, e vrau dhe ia shkurtoi kokën.

Kur panë filistenjtë se e pat vigani i tyre, ua dhanë këmbëve. 52 Atëherë u çuan trimat e Izraelit e të Judës, lëshuan kushtrimin e luftës, i ndoqën filistenjtë derisa arritën në Get e përtej deri te dyert e Akaronit. U mbulua rruga me filistenj të vrarë prej Saraimit e në Get e deri në Akaron. 53 Bijtë e Izraelit u kthyen pasi i ndoqën filistenjtë dhe u ranë pre llogoreve të filistenjve. 54 Davidi mori kokën e filisteut dhe e çoi në Jerusalem. Armët e tija i vendosi në tendë.

Davidi fitimtar paraqitet te Sauli

55 Kur e pa Sauli Davidin tek po dilte në dyluftim kundër filisteut, pyeti Abnerin, prijësin e ushtrisë: “Abner, prej cilit fis rrjedh ky djalosh”? Abneri iu përgjigj: “Pasha jetën tënde, mbret, nuk e di”. 56 Mbreti vazhdoi: “Mos harro e pyet se djali i kujt është”! 57 Kur u kthye Davidi pasi kishte vrarë filisteun, Abneri e mori dhe e paraqiti te Sauli ndërsa Davidi e kishte në dorë ende kokën e filisteut. 58 Sauli e pyeti: “I biri i kujt je, o djalosh”? Davidi iu përgjigj: “Jam biri i shërbëtorit tënd, Isait të Betlehemit”.

1 i Samuelit: 18. Lindja e smirës së Saulit

18

1 Tashti, posa kreu Davidi bisedën me Saulin, zemra e Jonatanit u lidh ngushtë me zemrën e Davidit dhe Jonatani e deshi Davidin si vetveten. 2 Po atë ditë Sauli e ndali Davidin tek ai e nuk i dha leje të kthehej në shtëpinë e t’et. 3 Jonatani e Davidi lidhën miqësi të ngushtë: Jonatani e donte si vetveten. 4 Jonatani e zhveshi këmishën e vet që kishte veshur, e ia dha Davidit. Ia dha edhe petkat e veta të tjera, deri edhe shpatën, harkun dhe brezin e vet. 5 Në të gjitha detyrat e veta, kudo e dërgonte Sauli, Davidi shkonte e dilte faqebardhë. Sauli e vuri prijës të ushtrisë. I pëlqeu mbarë popullit edhe oborrtarëve të Saulit.

Lindja e smirës së Saulit

6 Porse, në kthim, kur Davidi po kthehej pasi vrau filisteun, u dolën përpara gra prej të gjitha qyteteve të Izraelit, duke kënduar e vallëzuar para Saulit mbret me daulle, me këngë hareje e me cetra. 7 Gratë këndonin, kërcenin e thoshin:

“Vrau Sauli me mijëra,

vrau Davidi me dhjetëra mijëra”!

8 Saulit i erdhi shumë keq dhe nuk i pëlqeu aspak kjo fjalë. Tha: “I dhanë Davidit me dhjetëra mijëra, kurse mua me mijëra! Çka i mungon atij përveç mbretërisë”?! 9 Që prej asaj dite Sauli nuk e shikonte më Davidin me sy të mirë.

10 Të nesërmen, shpirti i keq i dërguar prej Hyjit, e pushtoi Saulin dhe ai filloi të tërbohej nëpër shtëpi. Davidi i binte harpës si në të gjitha ditët e tjera e Sauli mbante në dorë heshtën. 11 Qiti me të me qëllim që ta mbërthente Davidin për mur. Por Davidi iu shmang dy herë.

12 Sauli e dronte Davidin sepse Zoti ishte me të, kurse prej tij ishte larguar. 13 Prandaj Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri mijëtar ‑ prijës mbi një mijë ushtarë. Davidi shkonte e vinte në krye të popullit. 14 Çdo punë që merrte Davidi, i shkonte mbarë e Zoti ishte me të. 15 Vuri re Sauli se si gjithçka po i shkonte shumë mbarë e filloi t’ia kishte frikën. 16 Po edhe mbarë Izraeli e Juda e donin Davidin, sepse ai u printe në të gjitha udhët e tyre.

Martesa e Davidit

17 Sauli i tha Davidit: “Jaijën time të madhe, Merobën, do të ta jap për grua, porse ji burrë i fortë e luftoji luftërat e Zotit”! Sauli mendonte me vete: “Të mos e vrasë dora ime, por le ta vrasin filistenjtë”! 18 Por Davidi iu përgjigj Saulit: “Po kush jam unë, o sa vlen jeta ime, o ç’rëndësi ka barku i tim eti në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit”? 19 E njëmend, kur erdhi koha që Meroba, bija e Saulit të martohej me Davidin, ajo i qe dhënë për grua Hadrielit prej Molatit.

20 Por Davidin e donte vajza e dytë e Saulit, Mikola. I treguan Saulit dhe atij i ra mirë. 21 Sauli tha: “Do t’ia jap me qëllim që ajo t’i bëhet kurth e ta godasë dora e filistenjve.” Prandaj Sauli i tha për të dytën herë Davidit: “Sot do të bëhesh dhëndri im!” 22 Sauli u urdhëroi oborrtarëve të vet: “Flisni, në besë me Davidin e thoni: ‘Ja, ti i ke pëlqyer mbretit dhe të gjithë oborrtarët e tij të duan; bëju, pra, dhëndri i mbretit!’” 23 Oborrtarët e Saulit ia treguan në vesh të gjitha këto fjalë Davidit e Davidi u tha: “Pse, a ju duket punë e vogël të jesh dhëndër i mbretit? Kurse unë jam njeri skamnor e i hollë”? 24 Zyrtarët e Saulit i lajmëruan: “Kështu ka folur Davidi”. 25 E Sauli u tha: “Kështu thuajini Davidit: ‘Mbreti s’kërkon gjë për fejesë. Kërkon vetëm njëqind zhanga filistenjsh, që të bëhet hakmarrja e mbretit’”. Me këtë Sauli mendonte t’ua lëshonte Davidin në duar filistenjve.

26 Kur ia treguan shërbëtorët Davidit fjalët që i kishte thënë Sauli, Davidit iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. 27 Ende pa kaluar ditët, Davidi u çua e shkoi me njerëzit që i kishte nën sundim, vrau dyqind filistenj, ua mori zhangat dhe ia numëruan mbretit për t’u bërë dhëndri i tij.

Kështu, pra, Sauli ia dha Mikolën, vajzën e vet, për grua. 28 E pa Sauli dhe mirë e mori vesh se Zoti ishte me Davidin. E Mikola, bija e Saulit, e donte Davidin. 29 Sauli filloi ta druajë edhe më tepër Davidin. U bë armik i Davidit për tërë jetën. 30 Prijësit e filistenjve dilnin të luftonin, por, sa herë që dilnin, Davidit i shkonte puna mbarë, më tepër se të gjithë prijësve të tjerë të Saulit dhe emri i tij erdhi e u bë shumë i përmendur.

1 i Samuelit: 19. Jonatani ndërmjetëson për Davidin

19

1 Sauli i tregoi Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë nëpunësve të vet se mendonte ta vriste Davidin. Jonatani tashmë e donte Davidin pa masë. 2 Jonatani i dëftoi Davidit e i tha: “Sauli, im atë, kërkon të të vrasë. Prandaj, ruaju, po të lutem, nesër në mëngjes: rri fshehur e struku. 3 Unë do të dal e do të qëndroj përbri babait kudo të jesh në arë. Unë do të flas me tim atë për punë tënde, e, gjithçka të hetoj, do të ta tregoj ty”.

4 Jonatani foli mirë për Davidin me babain e vet, Saulin, e i tha: “Mos të mëkatojë mbreti kundër shërbëtorit të vet Davidit, sepse nuk të ka bërë farë faji, përkundrazi veprat e tija të kanë sjellë shumë dobi. 5 Jetën e vet e ka vënë ndër gërshërë: e vrau filisteun dhe Zoti i dha fitore të madhe mbarë Izraelit: e pe dhe u gëzove. Pse atëherë mëkaton kundër gjakut të pafajshëm, e mendon ta vrasësh Davidin që s’ka faj”? 6 Sauli, kur i dëgjoi këto fjalë, u qetësua nga fjala e Jonatanit, dhe u përbetua: “Pasha Zotin ai nuk do të vritet”!

7 Atëherë Jonatani e thirri Davidin dhe ia tregoi të gjitha këto fjalë. Jonatani e paraqiti Davidin te Sauli dhe qëndroi tek ai, siç kishte qëndruar më parë.

2. IKJA E DAVIDIT

Sauli e sulmon Davidin

8 Plasi lufta përsëri e Davidi doli në luftë kundër filistenjve dhe i shpartalloi aq rreptë, saqë ikën para tij. 9 Atëherë shpirti i keq i dërguar prej Zotit e pushtoi Saulin. Sauli rrinte në shtëpi të vet me heshtë në dorë, kurse Davidi i binte harpës. 10 Sauli u mundua ta mbërthejë Davidin me heshtë për muri, por Davidi iu shmang gjuajtjes së Saulit, e heshta u ngul në mur. Po atë natë Davidi iku dhe e shpëtoi kokën.

Davidin e shpëton Mikola

11 Sauli dërgoi njerëzit e vet te shtëpia e Davidit për ta ruajtur e për ta vrarë në mëngjes.

Për këtë gjë e njoftoi Davidin Mikola, gruaja e tij, e i tha: “Nëse nuk i gjen rrugë shpëtimi vetvetes sonte, nesër në mëngjes do të vritesh, ” 12 dhe e lëshoi nëpër dritare. Davidi u arratis dhe shpëtoi duke ikur.

13 Mikola mori një idhull, e vuri në shtrat, në kokë i vuri lëkurë dhie me lesh dhe e mbuloi me mbulesë. 14 Sauli dërgoi lajmëtarët për ta grabitur Davidin dhe ata morën përgjigje se ishte i sëmurë. 15 Sauli përsëri i dërgoi lajmëtarët për ta parë Davidin, e u tha: “Silleni tek unë në shtrat që ta vras”! 16 Kur erdhën kasnecët, u gjet idhulli mbi shtrat dhe lëkura e dhisë rreth kokës së tij. 17 Sauli i tha Mikolës: “Përse më gënjeve kështu dhe e lejove armikun tim që të ikë”? Mikola iu përgjigj Saulit: “Sepse ai më tha: ‘Më lësho të shkoj, se, përndryshe, të vrava’”!

Sauli e Davidi te Samueli

18 Kështu Davidi, duke ikur, shpëtoi. Shkoi në Ramë te Samueli dhe i tregoi gjithçka i kishte bërë Sauli. Atëherë u çuan ai dhe Samueli e shkuan për të jetuar në Najot.

19 I çuan fjalë Saulit e i thanë: “Davidi është në Najot, në Ramë”. 20 Atëherë Sauli dërgoi kasnecët për ta rrëmbyer Davidin. Por këta, kur e panë çetën e profetëve duke kaluar në vëgime profetike me Samuelin në krye, i rrëmbeu edhe ata shpirti i Hyjit, e kaluan edhe ata në trans profetik. 21 Kur e lajmëruan Saulin për këtë, ai dërgoi të tjerë kasnecë, por edhe ata profetizuan. Përsëri Sauli dërgoi kasnecët e tretë, por edhe këta kaluan në vëgime profetike.

22 Atëherë Sauli u nis vetë në Ramë. Kur arriti te pusi i madh që është në Soko, pyeti: “Ku janë Samueli e Davidi”? Ju përgjigjën: “Ja, ata gjenden në Najot, në Ramë.” 23 Prej andej shkoi në Najot, në Ramë. Po edhe atë e pushtoi shpirti i Hyjit dhe vazhdoi udhën në gjendje të vëgimit profetik derisa arriti në Najot, në Ramë. 24 Edhe ai i zhveshi petkat e veta dhe kaloi në vëgim profetik porsi të tjerët para Samuelit. Atëherë ra përtokë i zhveshur krejt atë ditë e atë natë. Këndej edhe doli thënia: “Pse, a edhe Sauli është një ndër profetët”?

1 i Samuelit: 20. Jonatani i ndihmon Davidit të ikë

20

1 Davidi iku prej Najotit që është në Ramë, erdhi te Jonatani dhe i tha: “Ç’kam bërë? Cili është faji im dhe ç’të keqe kam bërë ndaj tët eti që kërkon të ma marrë jetën”? 2 Jonatani iu përgjigj: “Assesi! Jo, nuk do të të vrasë! Shiko: im atë nuk bën asgjë, as të madhe as të vogël, pa ma pasë treguar mua më parë. A thua vetëm këtë gjë të fshehë im atë para meje? Assesi s’do të ndodhë kjo!” 3 Por Davidi përsëri e mori fjalën e tha: “Mirë fort e di yt atë se unë e kam përkrahjen tënde e mendon: ‘Mos ta dijë këtë Jonatani që të mos të trazohet nga trishtimi’. Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetëm një hap na ndan mua dhe vdekjen”.

4 Jonatani i tha atëherë Davidit: “Ç’dëshiron të bëj për ty”? 5 Davidi iu përgjigj Jonatanit: “ Ja, nesër është hëna e re e mua më duhet të ulem përbri mbretit për të ngrënë. Më lejo të fshihem deri në mbrëmje të së tretës ditë në fushë. 6 Nëse më kërkon yt atë, i thuaj: ‘Davidi më bëri lutje që të shkonte shpejt në Betlehem, qytetin e tij, sepse atje kanë theroret vjetore njerëzit e fisit të tij që të gjithë’. 7 Nëse thotë: ‘Mirë’, atëherë shërbëtori yt mund të jetë i qetë, por nëse do të zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë. 8 Më bëj, pra, këtë nder, sepse vetë e bëre shërbëtorin tënd që të lidhë besën e Zotit me ty. Nëse kam ndonjëfarë faji, më vra ti vetë e mos më shpjer tek yt atë”.

9 Jonatani i tha: “Larg qoftë! Po ta dija me të vërtetë se im atë ka vendosur të të vrasë, unë s’do ta lija assesi pa ta treguar”. 10 Davidi iu përgjigj Jonatanit: “Kush do të më njoftojë nëse yt atë do të përgjigjet me ashpërsi”?

11 Atëherë Jonatani i tha Davidit: “Eja e të dalim bashkë në fushë”. Kur dolën të dy në fushë, 12 Jonatani i tha Davidit: “Pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, do të bëj hetime që ta di mendimin e tim eti në këtë kohë, nesër ose pasnesër. Nëse do të jetë mirë për Davidin dhe nëse unë nuk do të dërgoj dikë për të të njoftuar, 13 kështu ia bëftë Zoti Jonatanit e madje edhe më zi! Po edhe nëse do të zotërojë mendja e keqe e tim eti kundër teje, po edhe për këtë do të të njoftoj dhe do të të lë të shkosh në paqe. Dhe Zoti qoftë me ty siç pati qenë me babain tim. 14 Në qoftë se unë do të jem gjallë, ti do të sillesh me mua siç e kërkon besnikëria e Zotit, e në qoftë se do të jem i vdekur, 15 ti s’do t’ia mohosh mëshirën tënde familjes sime për amshim, as atëherë kur Zoti t’i çrrënjosë prej dheut një nga një të gjithë armiqtë e Davidit. 16 Sepse Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit kur tha: ‘Zoti ia kërkoftë Davidit prej duarve të armiqve të tij”! 17 Jonatani shtoi për ta bërë Davidin të përbetohet për dashurinë e tij që kishte për të: në të vërtetë e donte porsi jetën e vet.

18 Atëherë Jonatani i tha: “Nesër është hëna e re, e do të kërkohesh, 19 sepse vendi yt në tryezë do të jetë i zbrazët. Pasnesër zbrit ti e eja në atë vend, ku u fshehe ditën e asaj ngjarjeje. Ti qëndro përbri atij grumbulli. 20 Unë do t’i qes tri shigjeta në drejtim të tij dhe do t’i qes sikurse të ushtroja për të gjuajtur në shenjë. 21 Do ta dërgoj edhe djaloshin e do t’i them: ‘Shko e m’i sill shigjetat!’ 22 Nëse do t’i them djaloshit: ‘Ja, shigjetat janë këtej teje, m’i sill’, ti eja tek unë, sepse puna është mirë e s’ka, për Zotin, farë të keqeje për ty. Por, në qoftë se do t’i them kështu djaloshit: ‘Shiko! Shigjetat janë përtej teje!’, atëherë shko, sepse Zoti të largon prej këtej. 23 Për fjalën që kemi folur bashkë, unë e ti, Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje për amshim”.

24 Kështu, pra, u fsheh Davidi në fushë. Erdhi hëna e re dhe mbreti u ul në tryezë për të ngrënë. 25 Mbreti u ul në vendin e vet të rëndomtë ‑ përbri murit ‑, përballë tij u ul Jonatani, në njërën anë të Saulit ndenji Abneri, kurse vendi i Davidit mbeti i zbrazët. 26 Sauli atë ditë s’foli kurrgjë; sepse mendonte se ndoshta do t’i ketë ndodhur diçka e nuk është i pastër dhe s’ka mundur të pastrohet.

27 Por, kur erdhi e dyta ditë pas hënës së re, prapë qe i zbrazët vendi i Davidit. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: “Pse nuk vjen djali i Isait as dje as sot për të ngrënë bukë”?

28 Jonatani iu përgjigj Saulit: “Më ka bërë shumë lutje që të shkonte në Betlehem, 29 e më tha: ‘Më lejo të shkoj, se kemi theroren e familjes në qytet, dhe erdhi vetë vëllai im e më thirri; Tani pra, nëse kam gjetur hir para syve të tu, më lër të shkoj për pak kohë t’i shoh vëllezërit e mi’. Kjo është arsyeja që nuk ka ardhur në tryezën e mbretit”.

30 Sauli u hidhërua kundër Jonatanit e i tha: “Zog shake! A kujton se nuk e di që je miku i birit të Isait për turpin tënd e për turpin e nënës sate!? 31 Për sa kohë të jetë gjallë mbi tokë biri i Isait, nuk do të jesh i sigurt as ti as mbretëria jote. Pra, që tani dërgo e bjere këtu tek unë, sepse ai duhet të vdesë”! 32 Jonatani iu përgjigj Saulit, t’et, e i tha: “Përse do të vdesë? Ç’ka bërë”? 33 Sauli kapi heshtën për ta goditur. E mori vesh Jonatani se Sauli kishte vendosur ta vriste Davidin, 34 u ngrit, pra, Jonatani nga tryeza, plot hidhërim, e nuk hëngri bukë të dytën ditë të hënës së re, sepse ishte shumë i shqetësuar për punë të Davidit, pse i ati i kishte mbetur në qafë.

35 Kur zbardhi drita, Jonatani shkoi në fushë, në vendin e caktuar prej Davidit dhe me të ishte një djalosh i vogël. 36 Jonatani i tha shërbëtorit të vet: “Shko e m’i mblidh shigjetat që po i hedh”. Djaloshi u lëshua vrap e Jonatani e qiti shigjetën përtej tij. 37 Djaloshi mbërriti në vendin ku e kishte hedhur Jonatani, Jonatani bërtiti pas djaloshit e tha: “Ja, ku është shigjeta! Shiko përtej teje”! 38 Jonatani i thirri djaloshit e tha: “Jepu këmbëve më shpejt, e mos ndalo”! Djaloshi e mori shigjetën e Jonatanit dhe ia solli zotërisë së vet 39 e s’mori gjë vesh për sa u veprua: vetëm Jonatani e Davidi e dinin se ç’do të thoshte ajo gjë.

40 Atëherë Jonatani ia dha djaloshit armët e veta e i tha: “Shko e m’i ço në qytet”! 41 Kur u nis djaloshi, u çua Davidi prej pas grumbullit, ra me fytyrë përdhe e u përkul tri herë. U përqafuan dhe qanë të dy, Davidi më shumë. 42 Atëherë Jonatani i tha Davidit: “Shko në paqe! E për sa u lidhëm të dy me besën e Zotit: Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje, ndërmjet farës sime e farës sate përgjithmonë”.

1 i Samuelit: 21. Qëndrimi në Nob

21

1 Atëherë Davidi u çua e shkoi. U ngrit edhe Jonatani e hyri në qytet.

Qëndrimi në Nob

2 Davidi shkoi te prifti Akimelek në Nob. Akimeleku, i shqetësuar, i doli para Davidit dhe i tha: “Pse erdhe ti vetëm dhe s’është askush me ty”? 3 Davidi iu përgjigj Akimelekut prift: “Mbreti më ka dhënë një punë për ta kryer e më ka thënë: ‘Askush të mos e dijë për çfarë të kam dërguar dhe ç’urdhra të kam dhënë’. Djelmoshave u kam thënë të më presin në një vend të caktuar. 4 Tashti, nëse të kanë qëlluar pesë bukë, m’i jep; ose ç’të ka qëlluar tjetër”.

5 Prifti iu përgjigj Davidit: “S’ më ka qëlluar bukë e rëndomtë, por vetëm bukë e kushtuar. A do të jenë të pastër djelmoshat, veçanërisht prej grave”? 6 Davidi iu përgjigj priftit e i tha: “Pa farë dyshimi! Për sa u përket grave, jemi përmbajtur dje e pardje. Kur u nisa për udhë vetja e djelmoshave ishte në gjendje të pastër. Edhe pse ky është një udhëtim i rëndomtë, aq më tepër sot djelmoshat janë në gjendje të pastër për nga trupi”. 7 Atëherë prifti i dha bukët e kushtuara. Vërtet, nuk i ndodhi tjetër bukë aty, përveç bukëve të paraqitjes që i kishte hequr prej pranisë së Zotit për të vënë bukë të nxehta.

8 Qëlloi aty atë ditë një prej shërbëtorëve të Saulit. Ishte ndalur para Zotit. Quhej Doeg Idumeu. Ishte kryetari i barinjve të Saulit.

9 Davidi i tha Akimelekut: “A mos të gjendet këtu për doresh ndonjë heshtë ose shpatë? Sepse, puna e mbretit duhej kryer me ngut e nuk mora me vete shpatën time as armët e mia”. 10 Prifti iu përgjigj: “Këtu kam shpatën e Goliatit, të atij filisteu që e preve ti në luginën e Terebintit. Është e mbështjellë në një pëlhurë pas shpinorit. Nëse do ta marrësh atë, merre, tjetër përveç saj këtu nuk ka”. Davidi i tha: “S’ka tjetër si ajo, ma jep”!

Davidi te filistenjtë

11 U ngrit, pra, Davidi e iku atë ditë larg prej Saulit. Shkoi tek Akisi, mbreti i Getit. 12 Oborrtarët e tij i thanë Akisit: “A nuk është ky Davidi, mbreti i tokës? A nuk i këndonin këtij në valle e i thoshin:

‘Sauli vrau me mijëra,

kurse Davidi me dhjetëra mijëra’”?

13 Davidi i nguli mirë në mend këto fjalë dhe ia kishte fort frikën Akisit, mbretit të Getit. 14 Atëherë Davidi u shtir si i marrë para tyre. Sillej si i dalë mendsh ndër sy të tyre: i binte derës sikur po i bie tupanit, linte t’i rridhte jarga nëpër mjekërr.

15 Atëherë Akisi u tha oborrtarëve të vet: “A po shihni se është njeri i marrë. Pse e prutë këtu tek unë? 16 A s’kemi mjaft të marrë që ma sollët këtu këtë që të më mërzisë me marrinë e vet? Një si ky duhet të hyjë në shtëpinë time”?

1 i Samuelit: 22. Davidi fillon jetën e çetarit

22

1 U largua, pra, prej andej Davidi dhe u strehua në shpellën Odolam. Kur e morën vesh vëllezërit e tij dhe mbarë shtëpia e t’et, zbritën atje, tek ai. 2 U bashkuan tek ai edhe të gjithë ata që ndodheshin ngushtë për shkak të detyrimeve, të shtypjes dhe të pakënaqësive dhe Davidi u bë prijës i tyre. Ishin me të rreth katërqind vetë.

3 Prej këndej Davidi shkoi në Masfë, që është në tokën e Moabit. Mbretit të Moabit i tha: “Po të lutem, prano të qëndrojnë me ju im atë dhe nëna ime derisa të mësoj se ç’do të bëjë Hyji për mua”. 4 Dhe i la ata te mbreti i Moabit. Ata ndenjën tek ai për tërë kohën sa Davidi qëndroi në strehim.

5 Por profeti Gad i tha Davidit: “Mos rri më në strehim. Nisu e shko në tokën e Judës”. Davidi u çua e shkoi në pyllin e Haretit.

Vrasja e priftërinjve të Nobit

6 Sauli e mori vesh se ishin parë Davidi dhe njerëzit që ishin me të. Sauli ndodhej në Gaba. Po rrinte nën marenën që është në një lartësirë. Në dorë mbante heshtën, i rrethuar prej të gjithë oborrtarëve të vet. 7 Atëherë u tha oborrtarëve të vet, që po i rrinin pranë: “Dëgjoni, beniaminas! A do t’ju japë të gjithë juve edhe i biri Isait toka e vreshta, a do t’ju bëjë të gjithë mijëtarë e qindtarë, 8 që të gjithë u bëtë tok kundër meje. Si s’u gjet një që të më njoftojë se im bir bëri besëlidhje me të birin e Isait? Si s’u gjet një që ta ankojë gjendjen time? Si s’u gjet asnjë që të më vërë në dijeni se im bir e nxit shërbëtorin tim kundër meje për të më vënë prita mua, siç po bën sot”?

9 Atëherë foli Doegu idumeas që ishte me oborrtarët e Saulit, e tha: “E pashë të birin e Isait në Nob te prifti Akimelek, biri i Akitobit. 10 Ai e pyeti për të Zotin dhe i dha ushqime. I dha, madje, edhe shpatën e Goliatit filiste”.

11 Atëherë mbreti dërgoi për ta sjellë Akimelekun prift, bir i Akitobit, dhe mbarë shtëpinë e babait të tij, priftërinj që ishin në Nob. Të gjithë erdhën te mbreti. 12 Sauli tha: “Dëgjo, biri i Akitobit”! Ai u përgjigj: “Urdhëro, zotëri”! 13 Sauli vazhdoi: “Përse u lidhët me përbetim kundër meje ti dhe biri i Isait? I dhe bukë e shpatë dhe e pyete për të Hyjin, që të çohet kundër meje e të më vërë prita siç po bën sot”? 14 Akimeleku iu përgjigj mbretit: “Po kush është ndër të gjithë oborrtarët e tu besnik si Davidi, dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate, një njeri i nderuar në familjen tënde? 15 Pse, a sot fillova ta pyes Hyjin për të? Qoftë larg meje kjo që mbretit t’i shkojë edhe ndër mend një gjë e tillë kundër shërbëtorit të vet, kundër mbarë shtëpisë së tim eti. Për këtë punë as që ka ditur gjë shërbëtori yt, as të vogël as të madhe”.

16 Mbreti iu përgjigj: “Dënohesh me vdekje, Akimelek, ti dhe mbarë shtëpia e babait tënd”!

17 Mbreti u urdhëroi kasnecëve që i kishte përreth: “Suluni dhe vritini priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata, përkrahin Davidin. E kanë ditur se ka ikur e nuk më kanë njoftuar”. Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të ngrinin dorën për t’i vrarë priftërinjtë e Zotit.

18 Atëherë mbreti i tha Doegut: “Sillu ti e sulu mbi priftërinjtë”! U soll Doegu dhe i sulmoi priftërinjtë. I copëtoi atë ditë tetëdhjetë e pesë burra të veshur me shpinorë të linjtë. 19 E sulmoi edhe Nobin, qytetin e priftërinjve dhe i goditi me teh shpate trim e grua, të vegjël e foshnja, ka, gomar e dele, të gjitha i përshkoi në teh të shpatës.

20 Shpëtoi vetëm një djalë i Akimelekut, birit të Akitobit, i cili e ka emrin Abiatar. Ky u strehua te Davidi 21 dhe i tregoi se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit. 22 Davidi i tha Abiatarit: “Ma merrte mendja atë ditë se, meqenëse aty ndodhej Doegu idumeas, do t’i lajmëronte patjetër Saulit. Unë jam fajtor për vdekjen e të gjithë anëtarëve të familjes së babait tënd. 23 Qëndro me mua e mos ki frikë. Ai që kërkon të ma marrë mua jetën, kërkon ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i ruajtur mirë”.

1 i Samuelit: 23. Davidi në Cejlë

23

1 I lajmëruan Davidit e i thanë: “Ja, filistenjtë e kanë rrethuar Cejlën dhe po i plaçkitin lëmenjtë”. 2 Davidi e pyeti Zotin e tha: “A të shkoj e t’i godas këta filistenj”? Zoti i tha: “Shko, se do t’i mundësh filistenjtë e do ta shpëtosh Cejlën”. 3 Njerëzit që ishin me Davidin, i thanë: “Shiko: ne jemi në frikë të vazhdueshme edhe këtu në Judë! Po si do të jetë nëse do të shkojmë në Cejlë kundër çetave të filistenjëve”?

4 Davidi përsëri kërkoi këshillë prej Zotit, i cili iu përgjigj:

“Ngrihu e shko në Cejlë, sepse unë do t’i lëshoj filistenjtë në dorë tënde”.

5 Atëherë Davidi u nis me njerëzit e vet e shkoi në Cejlë, luftoi kundër filistenjve, i dëboi bagëtitë e tyre dhe i mundi keqas. Kështu Davidi i shpëtoi banorët e Cejlës. ‑ 6 Asohere kur Abiatari u strehua te Davidi, edhe ai zbriti me Davidin në Cejlë duke marrë me vete shpinorin.

7 E lajmëruan Saulin se Davidi kishte zbritur në Cejlë. Sauli tha: “E lëshoi Zoti në duar të mia: ai vetë e qiti veten në lak pasi ka hyrë në qytet të mbyllur me dyer e me shula”! 8 Sauli mblodhi mbarë popullin për të zbritur në luftë në Cejlë për ta rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij. 9 Kur e mori vesh Davidi se Sauli po bëhej gati për t’ia bërë të zezën tinëz, i tha Abiatarit prift: “Bjere shpinorin”! 10 Atëherë Davidi tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Shërbëtori yt dëgjoi se Sauli po bëhet gati që të vijë kundër Cejlës për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. 11 A do të më lëshojnë njerëzit e Cejlës në dorë të Saulit? A do të zbresë Sauli siç dëgjoi shërbëtori yt? O Zot, Hyji i Izraelit, dëftoji shërbëtorit tënd”! E Zoti i tha: “Do të zbresë”! 12 E Davidi vazhdoi: “A do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi te Sauli këta, njerëzit e Cejlës”? Zoti iu përgjigj: “Do të të dorëzojnë”!

13 U çua, pra, Davidi dhe njerëzit e tij ‑ ishin gjashtëqind vetë ‑ dolën prej Cejlës dhe endeshin andej ‑ këndej, pa qëllim. E lajmëruan edhe Saulin se Davidi kishte dalë prej Cejlës, prandaj as nuk doli për sulm.

14 Davidi shkoi për të jetuar në shkretëtirë, në vende të pakalueshme dhe qëndroi në male në shkretëtirën Zif. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Hyji nuk e lëshoi kurrë në duar të tija.

Davidi në Horesë. Jonatani vjen për ta parë

15 Davidi e mori vesh se Sauli kishte dalë që ta kërkonte për t’ia marrë jetën. Davidi gjendej në shkretëtirën e Zifit, në Horesë. 16 U çua Jonatani, biri i Saulit, dhe shkoi te Davidi në Horesë. Ai i dha zemër Davidit në emër të Zotit. I tha: 17 “Mos ki frikë! Ti s’do të biesh në duar të Saulit, tim eti. Ti do të mbretërosh mbi Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë, Sauli”. 18 U lidhën, pra, besa ‑ besë me njëri ‑tjetrin para Zotit. Davidi qëndroi në Horesë, kurse Jonatani u kthye në shtëpinë e vet.

Davidi shpëton prej Saulit

19 Zifasit shkuan te Sauli në Gaba e i thanë: “Davidi fshihet ndër ne në vende të sigurta në Horesë, në malin Hakilë, që është në jug të shkretëtirës. 20 Tani, pra, po deshi zemra jote, o mbret, që të zbresë atje, zbrit; është puna jonë që ta shtiem në duar të mbretit”. 21 Sauli u tha: “Qofshi bekuar prej Zotit, pasi po ankoni gjendjen time! 22 Shkoni, po ju lutem, e përgatitni gjithçka me kujdes, shikoni me vëmendje e vëreni vendin nga kalon ai dhe merrni hetime kush e ka parë aty: po më thonë se është shumë dinak. 23 Gjeni e vëreni të gjitha strehimet e tija ku fshihet e, kur t’ia gjeni vendin e sigurt, kthehuni tek unë që të vij edhe vetë me ju. E në qoftë se ecën nëpër tokë, do ta kërkoj në çdo vend të Judës”.

24 Ata atëherë u ngritën e shkuan në Zif para Saulit.

Davidi e njerëzit e tij ishin në shkretëtirën Maon, në Arabë, në jug të shkretëtirës. 25 Atëherë doli edhe Sauli me njerëzit e vet për ta kërkuar Davidin. E lajmëruan për këtë Davidin. Davidi zbriti në Qetë e qëndronte në Maon. Kur e mori vesh Sauli, iu vu pas Davidit në shkretëtirën e Maonit. 26 Sauli ecte njërit shpat të malit, kurse Davidi me njerëzit e vet shkonte shpatit tjetër të malit. Davidi u jepte sa ku mundte këmbëve për t’i ikur Saulit. E Sauli me njerëzit e vet po krijonte rrethin për ta zënë Davidin me gjithë ta, 27 kur ja, arriti lajmëtari që tha: “Shpejto e eja se filistenjtë e vërshuan tokën!” 28 Atëherë Sauli e la ndjekjen e Davidit e u kthye për t’u ndeshur me filistenjtë. Për këtë arsye ai vend u quajt: “Qeta e shpërndarjes”.

1 i Samuelit: 24. Davidi i kursen jetën Saulit

24

1 Prej andej Davidi u ngjit e shkoi të banojë në vende të sigurta të Engadit. 2 Kur u kthye Sauli prej ndjekjes së filistenjve, e lajmëruan: “Davidi tani gjendet në shkretëtirën e Engadit”. 3 Sauli mori tre mijë burra të zgjedhur në mbarë Izraelin dhe u nis për të gjurmuar Davidin e njerëzit e tij në qetat e dhive të egra. 4 Arriti te vathat e deleve, që janë afër udhës. Aty ishte një shpellë në të cilën hyri Sauli për të dalë për vete. Davidi me njerëzit e vet fshihej në pjesën e brendshme të shpellës. 5 Njerëzit e Davidit i thanë atëherë: “Erdhi dita, për të cilën të ka thënë Zoti: ‘Unë do të ta lëshoj në dorë armikun tënd që të bësh me të si të pëlqejë ty’”. Kështu, pra, Davidi u ngrit dhe, pa zë, i preu Saulit kindin e leshnikut. 6 Më vonë e breu ndërgjegjja Davidin pse i kishte prerë kindin e leshnikut Saulit 7 e u tha njerëzve të vet: “Më ruajtë dora e Zotit që të mos i bëj kurrë më një punë të tillë imzotit, të shuguruarit të Zotit: të vë më dorë në të, sepse është i shuguruar i Zotit”. 8 Davidi me fjalë të ashpra i qortoi njerëzit e vet dhe nuk i la të suleshin kundër Saulit.

Atëherë Sauli doli prej shpellës dhe vazhdoi rrugën që kishte marrë. 9 U ngrit edhe Davidi pas tij, doli prej shpellës dhe i thirri Saulit. I tha: “Imzot, o mbret”! Sauli u kthye e shikoi prapa. Davidi, duke u përkulur kah toka, e nderoi 10 dhe i tha Saulit: “Përse i dëgjon ngacmimet e njerëzve që thonë: ‘Davidi kërkon të ta bëjë të zezën’? 11 Ja, sot e pe me sytë e tu se Zoti të ka lëshuar në dorën time kur qe në shpellë. Mua më thanë që të të vrisja, por unë pata dhimbje për ty e thashë: Nuk do ta ngre dorën time mbi zotërinë tim, sepse është i shuguruar i Zotit 12 dhe im atë. Shiko, pra, e njihe kindin e leshnikut tënd në dorën time. Ta preva kindin e leshnikut tënd e nuk desha të të vrisja ty. Pra, kujtohu dhe pranoje se nuk kam mendje të keqe, paudhësi as farë faji kundër teje, kurse ti po më ndjek për të ma marrë jetën. 13 Zoti gjykoftë ndërmjet meje e teje, Zoti u hakmarrtë për mua mbi ty! Sa për mua, unë nuk do të ngre dorë mbi ty. 14 Ashtu siç thotë edhe fjala e urtë e vjetër: “Prej të padrejtëve rrjedh padrejtësia”, dora ime nuk do të ngrihet kundër teje. 15Kë po ndjek mbreti i Izraelit? Kë po salvon? Një qen të ngordhur, një plesht! 16 Zoti qoftë gjykatës ndërmjet meje e teje, ai paftë dhe mbroftë çështjen time; ai më shpëtoftë prej dorës sate”!

17 Kur i kreu Davidi këto fjalë drejtuar Saulit, Sauli tha: “A mos është ky zëri yt, o David, biri im”? Dhe Sauli ia filloi të qajë me zë të lartë. 18 I tha Davidit: “Je më i drejtë se unë, sepse ti më ke bërë vetëm mirë e unë ta kam kthyer me të këqija. 19 Ti sot dëftove mirësinë tënde ndaj meje, pasi Zoti më lëshoi në dorën tënde e ti nuk më vrave. 20 Cili është ai burrë që, kur ta gjejë armikun e vet, e lë të shkojë në punë të vet? Zoti të shpërbleftë me të mira për të mirën që ma bëre mua sot! 21 E tani, pasi e di me siguri se do të mbretërosh e se do ta kesh në dorë mbretërinë e Izraelit, 22 m’u përbeto në Zotin se nuk do ta shuash farën time pas meje dhe se nuk do ta zhdukësh emrin tim prej shtëpisë së tim eti”.

23 Davidi iu përbetua Saulit.

Sauli shkoi në shtëpinë e vet, kurse Davidi e njerëzit e tij u ngjitën në strehimin e tyre.

1 i Samuelit: 25. Vdekja e Samuelit. Historia e Nabalit dhe e Abigajlës

25

1 Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u bashkua, i bënë gjëmën dhe e varrosën në vendin e tij në Ramë.

Davidi u çua dhe zbriti në shkretëtirën Maon.

2 Ndodhej njëfarë burri në shkretëtirën Maon. Pronën e kishte në Karmel. Ishte njeri shumë i pasur. Kishte tri mijë dele e një mijë dhi. Ishte në Karmel për qethjen e deleve. 3 Njeriu quhej Nabal e gruaja e tij Abigajlë. Ishte një grua shumë e urtë dhe e pashme. Burri i saj ishte i vrazhdtë dhe i keq. Ishte prej barkut të Kalebit.

4 Kur Davidi në shkretëtirë dëgjoi se Nabali po qethte delet e veta, 5 i dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: “Dilni në Karmel, shkoni te Nabali e përshëndeteni prej anës sime. 6 Thuajini kështu vëllait tim: ‘Paqja me ty, paqja me shtëpinë tënde, paqja qoftë me gjithçka ke! 7 Tani mora vesh se kishe qethtarë. Barinjtë e tu kanë qenë me ne në shkretëtirë e ne kurrë nuk i kemi trazuar. Asnjëherë nuk u mungoi asnjë kokërr prej grigjës për tërë kohën sa qenë me ne në Karmel. 8 Pyeti shërbëtorët e tu dhe ata do të të tregojnë. Prandaj, le të gjejnë pritje të mirë këta djelmosha tek ti: të kemi ardhur në ditë feste! Ç’të kesh për doresh, jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd Davidit’”.

9 Djelmoshat e Davidit, kur erdhën, ia thanë Nabalit të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe heshtën. 10 Por Nabali iu përgjigj djelmoshave të Davidit e u tha: “Po kush është Davidi e kush është biri i Isait?! Sot u shtuan skllevërit që u ikin zotërinjve të vet! 11 A thua më duhet, pra, ta marr bukën time, ujët tim, mishin e bagëtive që i preva për qethtarët e mi, e t’ua jap njerëzve që nuk di nga janë”!?

12 U sollën, pra, djelmoshat e Davidit dhe u kthyen udhës nga erdhën dhe i treguan Davidit të gjitha këto fjalë. 13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të vet: “Le të ngjeshë secili shpatën e vet”! Secili ngjeshi shpatën e vet, po edhe Davidi ngjeshi shpatën e vet dhe, rreth katërqind burra i shkuan pas, kurse dyqind vetë ndenjën te pajisjet.

14 Por Abigajlën, gruan e Nabalit, e lajmëroi një nga shërbëtorët e saj e i tha: “Ja, Davidi prej shkretëtirës i dërgoi lajmëtarët e vet për t’i sjellë urimet e veta zotërisë sonë, por ai i dëboi me fjalë. 15 Këta njerëz kanë qenë shumë të mirë me ne: nuk kanë qenë të mërzitshëm; asnjë gjë nuk na humbi gjatë krejt kohës sa jetuam me ta në shkretëtirë. 16 Mur mburonjës i kemi pasur natë e ditë gjatë krejt kohës sa i kullotëm grigjat ndër ta. 17 Për këtë arsye mendo e pleqëro çfarë të duhet të bësh, sepse me siguri do t’i bëjnë ndonjë të zezë zotërisë sonë dhe mbarë familjes së tij. E zotëria është njeri i keq, kështu që askush s’mund të flasë me të”.

18 Abigajla shpejt e shpejt mori dyqind bukë, dy rrëshiqa me verë, pesë desh të pjekur, pesë masa grurë të pjekur, njëqind vile rrushi të thatë, dyqind ëmbëlsira fiqsh dhe i ngarkoi mbi gomarë. 19 Shërbërorëve të vet u tha: “Nisuni para meje, se ja, do t’ju zë”. Burrit të vet, Nabalit, nuk i tregoi.

20 Ndërsa ajo, kaluar mbi një gomar, po zbriste pas një bërryli malor, edhe Davidi, me njerëzit e vet, po zbriste përballë saj, kështu që ajo u takua me ta. 21 Davidi thoshte: “Vërtet kot ia ruajta gjënë e tij që e kishte në shkretëtirë, dhe nuk i humbi asnjë kokërr që i përkiste atij e ky ma ktheu të mirën me të keqe. 22 Kështu ua bëftë Hyji armiqve të Davidit e edhe më zi nëse do t’i lë gjallë deri nesër në mëngjes a ndonjë mashkull të tij”!

23 Posa e pa Abigajla Davidin, zbriti me të shpejtë prej gomarit, ra me fytyrë përdhe para Davidit e u përkul deri në tokë. 24 Ra para këmbëve të Davidit e tha: “Gabimi im, gabimi im, Imzot! Të lutem, lejo të të flasë shërbëtorja jote e dëgjo fjalët e shërbëtores sate. 25 Të mos shqetësohet, lutem, Imzoti për punë të atij marroçi ‑ Nabalit, sepse siç i thotë edhe emri i tij: është i marrë dhe marrëzira është me të. Kurse unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat e imzotit që i kishe nisur. 26 E tani, imzot, pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetë Zoti nuk deshi që të derdhje gjak e ta çoje në vend drejtësinë me dorën tënde. E tani si Nabali u bëfshin të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që imzotit ia mendojnë të keqen! 27 Prandaj pranoje këtë dhuratë që ia solli shërbëtorja jote zotërisë sim dhe ua jep djelmoshave që ndjekin imzotin. 28 Falja, po të lutem, fajin shërbëtores sate.

E Zoti që bën mirë gjithmonë, do t’i bëjë imzotit një shtëpi të qëndrueshme, sepse imzoti lufton luftërat e Zotit: prandaj të mos gjendet vepër e keqe në zotërinë tim gjatë krejt jetës sate. 29 E në qoftë se ndonjëherë do të ngrihet ndonjë njeri për të të salvuar e për të ta marrë jetën tënde, jeta e imzotit do të jetë e ruajtur në arkën e jetës te Zoti, Hyji yt; kurse jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë tej vrullshëm me rrotullim të bahes! 30 E kur Zoti do t’i çojë në vend të gjitha të mirat që t’i ka premtuar, ai do të të vërë prijës mbi Izraelin, 31 atëherë zotëria im s’do të ketë ankth në shpirt e bremje në zemër se ke derdhur gjak më kot e se je hakmarrë me dorën tënde. E kur ta ketë bekuar Zoti imzotin, le të të bjerë ndërmend për shërbëtoren tënde”.

32 Davidi i tha Abigajlës: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua! Qoftë bekuar edhe urtësia jote 33 e qofsh bekuar edhe ti që më pengove sot të mos derdhi gjak e të mos hakmerrem me dorën time! 34 Se, përndryshe, pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, që më ndaloi të mos të të bëj keq, po të mos më kishe ardhur me kohë në takim, gjallë s’do t’i kishte mbetur deri në agimin e mëngjesit Nabalit asnjë mashkull”.

35 Atëherë Davidi pranoi prej dorës së saj gjithçka i kishte sjellë ajo dhe i tha: “Shko në paqe në shtëpinë tënde. Shiko: ta dëgjova fjalën: qofsh falur”!

36 Abigajla u kthye te Nabali. Dhe ja, në shtëpi po bënte gosti, me të vërtetë një gosti mbretërish! Ishte shumë i gëzuar e krejtësisht i dehur. Ajo nuk i tregoi asgjë deri në mëngjes. 37 Në mëngjes, kur Nabalit i kishte dalë vera, gruaja e tij ia tregoi të gjitha. Atëherë e lëshoi zemra përbrenda në parzëm: u bë si gur. 38 Pasi kaluan dhjetë ditë, Zoti e goditi Nabalin e vdiq.

39 Kur e mori vesh Davidi se kishte vdekur Nabali, tha: “Qoftë bekuar Zoti që e shpagoi fyerjen që ma bëri Nabali e që e ruajti shërbëtorin e vet të mos hakmerrej vetë dhe që të keqen që bëri Nabali e solli mbi kokën e tij”.

Atëherë Davidi dërgoi njerëzit për t’i thënë Abigajlës se kishte qëllim ta merrte për grua. 40 Shkuan, pra, djelmoshat e Davidit tek Abigajla në Karmel dhe i thanë: “Davidi na ka dërguar tek ti për të të marrë për grua të tij”. 41 Ajo u ngrit, u përkul në shenjë nderimi e tha: “Ja, shërbëtorja jote është e gatshme t’ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzotit”. 42 U ngrit me nxitim Abigajla, hipi në gomar, pesë shërbëtoret e saja i shkuan pas. Ajo shkoi pas të dërguarve të Davidit dhe u bë gruaja e tij.

43 Davidi e kishte marrë për grua edhe Akinoamën prej Jezrahelit dhe të dyja ishin gra të tija. 44 Kurse Sauli Mikolën, bijën e vet, gruan e Davidit, ia kishte dhënë Faltiut, birit të Lajisit, që ishte prej Galimit.

1 i Samuelit: 26. Davidi i kursen jetën Saulit

26

1 Zifasit shkuan te Sauli në Gabà e i thanë: “Ja, Davidi fshihet në kodrën e Hakilës, përballë shkretëtirës”. 2 Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tri mijë vetë, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif. 3 Sauli nguli fushimin në kodrën e Hakilës, që është përballë shkretëtirës, anash rrugës. E Davidi banonte në shkretëtirë. Kur pa se kishte ardhur Sauli pas tij në shkretëtirë, 4 dërgoi hetues dhe mësoi se me të vërtetë kishte ardhur atje. 5 Davidi u çua e shkoi në vendin ku ishte Sauli. Kur e pa vendin ku flinte Sauli dhe Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së tij, Sauli po flinte brenda rrethit, kurse populli tjetër rreth e rreth tij, 6 Davidi i tha Akimelekut heteas dhe Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit: “Cili zbret me mua te Sauli në fushim”? Iu përgjigj Abisai: “Unë zbres me ty”.

7 Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te koka e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.

8 Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej përtokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë”. 9 Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm”? 10 Atëherë Davidi shtoi: “Pasha jetën e Zotit, vetë Zoti do ta godasë, ose do t’i vijë dita të vdesë, ose do të dalë në luftë e do të vritet. 11 Zoti mos e thëntë që unë të çoj dorë kundër të shuguruarit të Zotit! Tani pra, merre heshtën që është te koka e tij dhe brokën e ujit e të largohemi”. 12 Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te koka e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush s’diti gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.

13 Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në majë të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe ndërmjet, 14 atëherë Davidi i lëshoi zë ushtrisë dhe Abnerit, birit të Nerit e tha: “A nuk do të përgjigjesh, o Abner”? Abneri u përgjigj: “Kush je ti? Bërtet dhe e trazon mbretin!” 15 Atëherë Davidi i tha Abnerit: “Ti je burrë, a jo? E kush është trim si ti në Izrael? Pse, atëherë nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? E pra, ka hyrë dikush prej popullit me qëllim që ta vrasë mbretin, zotërinë tënd! 16 S’është mirë siç ke vepruar ti! Pasha Zotin e gjallë, e keni merituar vdekjen që të gjithë ju që nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të shuguruarin e Zotit. Tani, pra, shiko ku është heshta e mbretit e ku është broka e ujit, që ishte te koka e tij”!

17 Por Sauli e njohu zërin e Davidit e tha: “A mos është ky zëri yt, biri im David”? Davidi tha: “Zëri im, o mbret, zotëria im”! 18 E vazhdoi: “Për ç’arsye imzoti e ndjek shërbëtorin e vet? Ç’kam bërë? Çfarë faji është në mua? 19 Tani, pra, le t’i dëgjojë, po të lutem, zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet: Nëse Zoti të çon peshë kundër meje, i pëlqeftë flia e erëndshme! Por në qofshin njerëzit ata që të nxisin, qofshin mallkuar para Zotit, pse më dëbuan sot e më hodhën jashtë trashëgimit të Zotit, duke më thënë: ‘Shko, shërbeju zotave të huaj’! 20 E tani, mos u derdhtë gjaku im për tokë larg prej fytyrës së Zotit, pasi mbreti i Izraelit ka dalë që të kërkojë një plesht, sikurse kur ndokush del të gjuajë thëllëzën maleve”.

21 Sauli tha: “Kam mëkatuar! Kthehu, biri im, David! Assesi s’do të të bëj më keq, meqenëse sot para syve të tu jeta ime ka qenë e çmueshme. Shihet se kam vepruar marrëzisht e kam gabuar shumë, tepër shumë”.

22 Por Davidi iu përgjigj: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë. 23 Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë s’desha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit. 24 Dhe sikurse jeta jote sot qe e shtrenjtë për sytë e mi, ashtu edhe jeta ime qoftë e çmueshme për sytë e Zotit e më shpëtoftë prej çdo rreziku”.

25 Sauli i tha Davidit: “Qofsh bekuar, biri im David! Çkado që do të ndërmarrësh, faqebardhë do të dalësh”!

Davidi shkoi në punë të vet e Sauli u kthye në shtëpi të vet.

1 i Samuelit: 27. Davidi strehohet në Get

27

1 Davidi tha vetë me vete: “Dikur, një ditë a një tjetër, do të bie në duar të Saulit. A nuk është më mirë për mua të iki e të shpëtoj në tokën e filistenjve? Kështu Sauli do të mërzitet e do të pushojë të më kërkojë nëpër krahina të Izraelit. Kështu, pra, do të shpëtoj prej tij.” 2 U ngrit, pra, Davidi e shkoi ai e njerëzit e tij ‑ gjashtëqind vetë ‑ tek Akisi, biri i Maohut, mbret i Getit. 3 Davidi banoi me mbretin Akis në Get, ai dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; edhe Davidi me dy gratë e veta. Akinoamën prej Jezrahelit e Abigajlën, gruan e Nabalit prej Karmelit. 4 E njoftuan Saulin se Davidi kishte ikur në Get dhe nuk e gjurmoi më.

Davidi vasal i filistenjve

5 Davidi i tha Akisit: “Nëse kam gjetur hir para syve të tu, le të më jepet një qytet në këtë vend për të banuar aty. E pse, njëmend, të banojë shërbëtori yt me ty në qytetin mbretëror”? 6 Akisi po atë ditë ia dha Sicelegun. Për këtë arsye Sicelegu u takon mbretërve të Judës deri në ditën e sotme. 7 Davidi qëndroi në tokën e filistenjve një vit e katër muaj.

8 Davidi me njerëzit e vet dilte e plaçkiste gjezuritët, gerzitët e amalecitët, sepse këta popuj e banonin tokën prej Telemit në drejtim të Surit deri në Egjipt. 9 Davidi shkretëronte mbarë vendin, s’linte gjallë as trim as grua; merrte dele, lopë, gomarë, deve e petka. Kur kthehej, shkonte tek Akisi. 10 E Akisi i thoshte: “Kë keni sulmuar sot”? Davidi i përgjigjej: “Sot i ramë Nagebit të Judës”, ose: “I ramë Nagebit të Jerameelit”, ose: “I ramë Nagebit të Ceniut”. 11 Davidi nuk falte as trim as grua dhe nuk i sillte në Get, sepse thoshte: “Mund të na padisin e të thonë kundër nesh: ‘Kështu bëri Davidi’. Këtë sjellje kishte për tërë kohën sa qëndroi në tokën e filistenjve. 12 Akisi i besonte Davidit, sepse me vete thoshte: “Ka bërë ta urrejë tepër populli i Izraelit, prandaj do të jetë skllavi im përgjithmonë”.

1 i Samuelit: 28. Filistenjtë nisin luftën kundër Izraelit

28

1 Në ato ditë filistenjtë i mblodhën çetat e tyre për t’u përgatitur për luftë kundër Izraelit. Atëherë Akisi i tha Davidit: “Tani duhet ta dish se do të vish me mua në ushtri, ti dhe njerëzit e tu”. 2 Davidi iu përgjigj Akisit: “Mirë! Por edhe ti do ta dish, çka do të bëjë shërbëtori yt”! Akisi i tha Davidit: “Prandaj po të vë rojtar të kokës sime përgjithmonë”.

Sauli dhe shortarja e Endorit

3 Samueli kishte vdekur. Mbarë Izraeli e kishte qarë dhe e kishin varrosur në Ramë, në qytetin e tij. Sauli i kishte dëbuar prej vendit dijetarët dhe grishësit e shpirtrave.

4 U bashkuan filistenjtë, erdhën dhe u fushuan në Sunam. Po ashtu edhe Sauli bashkoi mbarë Izraelin dhe ngulën fushimin në Gjelboé. 5 Sauli i pa taborret e filistenjve, mbeti i tmerruar dhe zemra e tij u drodh prej frikës. 6 E pyeti për këshillë Zotin, por nuk iu përgjigj as me ëndrra, as me Urim, as me anën e profetëve.

7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të vet: “Ma kërkoni një grua që thërret të vdekurit, se do të shkoj tek ajo e do ta pyes me anë të saj”. Shërbëtorët i thanë: “Është në Endor një grua që thërret të vdekurit”.

8 Atëherë Sauli i ndërroi petkat e veta e u vesh me petka të tjera dhe shkoi ai e me të edhe dy të tjerë. Natën arritën te gruaja e i tha: “Ma trego të ardhmen me anë të përbetimit të të vdekurve e ma ngri atë që të të them”. 9 Gruaja iu përgjigj: “Ti e di mirë se ç’ka bërë Sauli, si i çrrënjosi prej vendit magjistarët e thirrësit e shpirtrave. Pse po më ngre lak për të më vrarë”? 10 Sauli iu përbetua me Zotin e i tha: “Pasha Zotin e gjallë, kurrnjë e keqe nuk do të të ndodhë për këtë punë”. 11 Gruaja i tha: “Kë do të ta thërras”? Ai tha: “Ma thirr Samuelin”.

12 Gruaja, kur e pa Samuelin, bërtiti me zë të lartë e i tha Saulit: “Pse më tradhtove? Ti je Sauli”! 13 Atëherë mbreti i tha: “Mos ki frikë! Çfarë po sheh”? Gruaja i tha Saulit: “Shoh një njeri hyjnor që ngjitet nga toka”. 14 E pyeti pastaj: “Ç’pamje ka”. Ajo tha: “Po ngjitet një plak dhe është i mbështjellë me leshnik”. Sauli e mori vesh se ishte Samueli dhe ra, në shenjë nderimi me fytyrë përdhe.

15 Samueli i tha Saulit: “Pse më trazove që të ngrihem”? E Sauli iu përgjigj: “Jam tepër ngushtë. Filistenjtë po luftojnë kundër meje, Zoti është larguar prej meje dhe nuk deshi të më dëgjojë as me anë të profetëve, as më anë të ëndrrave; prandaj të thirra ty që të më tregosh ç’më duhet të bëj”.

16 Samueli i tha: “Pse më pyet mua, kur e di se Zoti është larguar prej teje dhe është bërë kundërshtari yt? 17 Zoti ka bërë ashtu siç ka thënë përmes meje, e hoqi mbretërinë prej dorës sate e ia dha të afërmit tënd, Davidit, 18 sepse nuk e ke dëgjuar zërin e Zotit dhe s’e ke kryer zemërimin e tij të hidhur kundër amalekasve. Prandaj edhe Zoti u soll me ty kështu sot. 19 Zoti bashkë me ty do ta lëshojë në dorë të filistenjve edhe Izraelin. Nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua, kurse ushtrinë e Izraelit Zoti do ta lëshojë në dorë të filistenjve”.

20 Aty për aty Sauli u shtri përtokë sa gjërë e gjatë. E tmerruan fjalët e Samuelit, por edhe fuqia e kishte lënë, sepse nuk kishte ngrënë bukë gjithë ditën e gjithë natën. 21 Gruaja iu afrua Saulit, e pa se ishte shtanguar nga frika e i tha: “Ja, shërbëtorja jote e dëgjoi kërkesën tënde, e vura jetën time në rrezik dhe i dëgjova fjalët e tua që m’i the. 22 Tani dëgjoje edhe ti fjalën e shërbëtores sate, po të vë para një kafshatë bukë, ha e forcohu që të mund të bësh rrugë”. 23 Ai s’pranoi e tha: “S’do të ha”! Por e shtrënguan shërbëtorët e tij dhe gruaja dhe, dikur, ua dëgjoi fjalën, u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat. 24 Gruaja e kishte në shtëpi një viç për majmëri. Nxitoj dhe e preu, mori miellin dhe poqi bukë ndore. 25 Ua vuri para Saulit dhe shërbëtorëve të tij. Këta, pasi hëngrën, u çuan dhe shkuan po atë natë.

1 i Samuelit: 29. Krerët e filistenjve e largojnë Davidin prej ushtrisë

29

1 Filistenjtë i mblodhën të gjitha trupat e veta në Afek. Po edhe izraelitët ngulën fushimin e tyre mbi burimin që ishte në Jezrahel. 2 Prijësit filistenj parakalonin me njësitë ushtarake të tyre nga njëqind e nga një mijë, kurse Davidi e njerëzit e tij shkonin të fundit me ushtrinë e Akisit. 3 Krerët e filistenjve pyetën: “Çka bëjnë këta hebrenj këtu”. Akisi iu përgjigj prijësve filistenj: “Është Davidi, shërbëtori i mbretit Saul! Është tek unë Tani sa kohë, madje me vjet, dhe nuk gjeta në të kurrgjë të keqe prej ditës që iku dhe u strehua tek unë deri më sot”. 4 U hidhëruan prijësit e filistenjve kundër tij dhe i thanë: “Le të kthehet ky njeri dhe le të rrijë në vendin që ia ke caktuar e të mos vijë assesi me ne në luftë, sepse mund të bëhet kundërshtari ynë kur të fillojmë betejën. E si do të mund të pajtohej ndryshe ky me zotërinë e vet më lehtë se me kokat e këtyre njerëzve? 5 Pse, a nuk është ky ai Davidi, të cilit i këndonin në valle e i thoshin:

‘I vrau Sauli me mijëra,

i vrau Davidi me dhjetëra mijëra’”?

6 Atëherë Akisi e thirri Davidin e i tha: “Pasha Zotin, ti je njeri i drejtë dhe ndër sytë e mi je i mirë dhe unë do të doja të ishe me mua në ushtri. Unë nuk gjeta në ty asnjë të keqe që ditën që erdhe tek unë deri në ditën e sotme. Por nuk u pëlqen prijësve. 7 Kthehu, pra, në paqe që të mos i fyesh prijësit e filistenjve”.

8 Davidi iu përgjigj Akisit: “Por ç’kam bërë se e ç’ke gjetur të keqe në shërbëtorin tënd prej ditës që erdha tek ti e deri në këtë ditë që të mos vij e të mos luftoj kundër armiqve të zotërisë sim mbretit”? 9 Akisi iu përgjigj kështu Davidit: “Unë e di se ti je i mirë për sytë e mi si engjëlli i Hyjit, por prijësit e filistenjve thanë: ‘Të mos dalë me ne në luftë’! 10 Prandaj çohu herët në mëngjes ti dhe shërbëtorët e zotërisë sate që kanë ardhur me ty dhe, pasi të ngriheni menatë, nisuni pasi të ketë filluar të dalë drita”.

11 U çua, pra, Davidi herët, ai dhe njerëzit e tij, për t’u nisur herët në mëngjes e për t’u kthyer në tokën e filistenjve. Kurse filistenjtë u nisën për Jezrahel.

1 i Samuelit: 30. Lufta kundër amalekasit

30

1 Kur Davidi dhe njerëzit e tij të tretën ditë arritën në Siceleg, amalekasit i kishin rënë pre Nagebit e Sicelegut. Sicelegun e kishin plaçkitur dhe i kishin dhënë zjarr. 2 Kishin marrë robër gra e të gjithë ata që kishin gjetur në të prej më të voglit e deri te të mëdhenjtë. Vrarë nuk i kishin, por i kishin marrë me vete e ishin nisur udhës së vet. 3 Pra, kur erdhën Davidi e njerëzit e tij në qytet dhe e gjetën të djegur, gra, djem e vajza të çuara në skllavëri, 4 Davidi dhe njerëzit që ishin me të e ngritën zërin dhe vajtuan derisa u mbaruan forcat e s’patën më lot. 5 Po ashtu të zëna rob ishin edhe dy gratë e Davidit, Akinoama jezrahelite dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit.

6 Edhe Davidi u gjet shumë ngushtë, sepse populli donte ta vriste me gurë, meqenëse të gjithë ishin të helmuar shpirtërisht për gjendjen e bijve e të bijave të tyre. Por Zoti, Hyji i tij, i dha forcë Davidit 7 e i tha Abiatarit prift, birit të Akimelekut: “Ma bjer shpinorin”. Dhe Abiatari ia solli Davidit shpinorin. 8 Atëherë Davidi e pyeti Zotin për këshillë: “A t’i ndjek këta cuba dhe a do t’i zë, apo jo”? Iu përgjigj: “Ndiqi! Padyshim do t’i zësh dhe do t’ua marrësh prenë”.

9 U nis, pra, Davidi dhe gjashtëqind burrat që ishin me të, dhe arritën te përroi Besor. Disa u lodhën e u ndalën, 10 kurse vetë Davidi me katërqind vetë i ndoqi e dyqind të tjerët, të lodhur shumë, nuk mund e kaluan përruan Besor.

11 Në fushë takuan një egjiptian dhe e çuan te Davidi. I dhanë bukë të hajë e ujë të pijë, e hëngri. 12 I dhanë edhe pak bukëfike dhe dy vile rrush të thatë. Kur i hëngri këto, iu kthye fryma, sepse nuk kishte ngrënë bukë e as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri net. 13 Davidi i tha: “I kujt je ti dhe nga je”? Ai iu përgjigj: “Jam egjiptian, skllav i një amalekasi. Pardje më la imzot, sepse fillova të sëmuresha. 14 I ramë pre Nagebit të Keretit, Nagebit të Judës, Nagebit të Kalebit dhe Sicelegun e dogjëm”. 15 Davidi e pyeti: “A mund të më prish deri tek ajo çetë”? Ai iu përgjigj: “M’u beto me Hyjin se nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh te zotëria im dhe unë do të të çoj deri në atë çetë”. Dhe Davidi iu betua.

16 Djaloshi, pra, i priu dhe e çoi tek ata. Kur ja, ata ishin shpërndarë nëpër atë krahinë, hanin e pinin e bënin festimin e presë e të plaçkitjes që kishin marrë prej tokës së filistenjve e të Judës. 17 Të nesërmen Davidi t’i sulmoi e t’i goditi që në mëngjes e deri në mbrëmje, dhe s’shpëtoi prej tyre askush me përjashtim të katërqind djelmoshave që hipën në deve e ikën.

18 Kështu Davidi shpëtoi gjithçka kishin plaçkitur amalekasit, i shpëtoi edhe të dy gratë e veta. 19 Dhe nuk u mungoi askush prej më të voglit e deri tek më i madhi, qoftë prej djemve, qoftë prej vajzave e prej presë: gjithçka u qe marrë; Davidi përsëri ia doli t’i kthejë. 20 Kështu Davidi i mori të gjitha grigjat dhe loritë e i prunë para tij dhe për këtë gjë thoshin: “Kjo është preja e Davidit”.

21 Erdhi, pra, Davidi tek ata dyqind vetë që, të lodhur e të këputur, kishin mbetur e nuk kishin mundur të shkonin pas Davidit dhe që Davidi u kishte urdhëruar të rrinin te përroi Besor. Këta i dolën Davidit para dhe ushtarëve që ishin me të. U afrua tek ata Davidi dhe i përshëndeti përzemërsisht. 22 Por burrat e këqij e të poshtrit ndër ata që kishin shkuar me Davidin, thanë: “Pasi nuk erdhën me ne, nuk do t’u japim asgjë prej presë që kapëm; mjaft e ka secili prej tyre të marrë gruan e fëmijët e vet e të çajnë e të shkojnë”. 23 Por Davidi tha: “Mos bëni ashtu, vëllezër! Pasi Zoti na i dha të gjitha e na ruajti shëndoshë e na i lëshoi në duar tona cubat që na kishin plaçkitur! 24 Dhe as të mos dëgjohet kjo fjalë ndër ju! E barabartë duhet të jetë pjesa e atij që bie në luftë me pjesën e atij që ruan pajisjet në fushim: të gjithë le të kenë pjesë të barabartë.”

25 Kjo gjë që atë ditë e tutje u bë si rregullore e ligj në Izrael deri në ditën e sotme.

26 Kur arriti Davidi në Siceleg, u dërgoi pleqve të Judës, bashkatdhetarëve të vet, dhurata prej presë, me këto fjalë: “Pranojeni këtë dhuratë prej presë që ua morëm armiqve të Zotit, ” (dhuratë)

27 atyre që ishin në Betul,

atyre që ishin në Ramë të Nagebit,

atyre në Jetër,

28 atyre në Aroer,

atyre në Sefamot,

atyre në Estemo,

29 atyre që ishin në Karmel,

atyre që ishin në qytetet e Jerameelit,

atyre që ishin në qytetet e Ceniut,

30 atyre në Hormë,

atyre në Borasan,

atyre në Atak,

31 atyre në Hebron

dhe atyre që ishin në vende të tjera, ku kishte qëndruar Davidi me njerëzit e vet.

1 i Samuelit: 31. Lufta e Gjelboesë. Vdekja e Saulit

31

1 Filistenjtë filluan luftën kundër izraelitëve. Izraelitët morën ikën para filistenjve dhe mbetën të vrarë në malin Gjelboé.

2 Filistenjtë u sulën kundër Saulit e bijve të tij dhe vranë Jonatanin, Abinadabin dhe Melkisuen, të bijtë e Saulit.

3 Atëherë tërë pesha e luftës u drejtua kundër Saulit. E morën në shënjestër shigjetarët dhe e plagosën rëndë.

4 Atëherë Sauli i tha armëmbajtësit të vet: “Nxirre shpatën tënde e më godit që të mos vijnë këta parrethprerë e të më shpojnë me heshtë e të luajnë me mua.” Por armëmbajtësi i tij nuk deshi. Ishte tmerruar për së tepërmi. Atëherë Sauli e kapi shpatën dhe ra vetë me turr mbi të. 5 Kur e pa këtë gjë armëmbajtësi i tij, d. m. th. se kishte vdekur Sauli, edhe ai u turr mbi shpatën e vet dhe vdiq bashkë me të.

6 Vdiqën, pra, po atë ditë Sauli e tre bijtë e tij, armëmbajtësi i tij dhe të gjithë njerëzit e tij. 7 Duke parë se u thye Izraeli, se mbeti i vrarë Sauli me tre djemtë e vet, të gjithë izraelitët që ishin përtej luginës dhe ata që ishin përtej Jordanit, i lëshuan qytetet e veta dhe ikën. Erdhën filistenjtë dhe ngulën në to.

8 Të nesërmen erdhën filistenjtë për t’i plaçkitur të vrarët dhe e gjetën Saulin të shtrirë përtokë me tre të bijtë në malin Gjelboé. 9 Saulit ia prenë kokën, i morën armët dhe i shëtitën rreth e rreth nëpër tokën e filistenjve për t’ua kumtuar sihariqin idhujve dhe popullit filiste. 10 Armët e tija i vendosën në tempullin e Astarotës, kurse trupin e tij e varën në murin e Betsanit.

11 Kur e morën vesh banorët e Jabesit të Galaadit ç’i kishin bërë filistenjtë Saulit, 12 u ngritën të gjithë burrat e zgjedhur, duke bërë rrugë gjithë natën, shkuan e morën trupin e Saulit dhe kufomat e bijve të tij nga muri i Betsanit. I prunë në Jabes dhe i dogjën aty. 13 I morën, pastaj, eshtrat e tyre dhe i rrëmuan nën marenë, në Jabes dhe agjëruan shtatë ditë.