2 e Pjetrit: 1. Thirrja dhe zgjedhja e të krishterit

1

1 Simon Pjetri, shërbëtori dhe apostulli i Jezu Krishtit, atyre që, me anë të drejtësisë së Hyjit tonë dhe Jezu Krishtit Shëlbues, e fituan të njëjtën fe të çmueshme sikurse edhe ne:

2 Paçi hir dhe paqe të plotë me anë të njohjes së Hyjit dhe të Jezusit, Zotit tonë.

Thirrja dhe zgjedhja e të krishterit

3 Vërtet, fuqia hyjnore na dhuroi gjithçka na nevojitet për jetë dhe për përshpirtëri me anë të njohjes së Atij që na grishi në saje të lavdisë dhe të forcës së vet. 4 Bashkë me to na u dhuruan premtimet më të çmueshme dhe më të mëdha që me anë të tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmimit.

5 Për këtë arsye përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virytin, virtytit dijen, 6 dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, 7 përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd. 8 Sepse këto cilësi, nëse i keni dhe nëse përparoni në to, nuk ju lënë të papunë as të pafrytë në njohjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. 9 Kurse ai që nuk i ka këto virtyte, është i verbër, dritëshkurtër; ka harruar se u pastrua prej mëkateve të veta të mëparshme. 10 Prandaj, o vëllezër, mundohuni ta përforconi përherë e më tepër thirrjen dhe zgjedhjen tuaj: nëse bëni kështu, kurrë nuk do të bini në mëkat. 11 Kështu, vërtet, do t’iu hapet plotësisht hyrja në Mbretërinë e amshuar të Zotit tonë, Jezu Krishtit.

12 Për këtë arsye gjithherë do t’iu përkujtoj për këto, edhe pse i dini dhe qëndroni të palëkundshëm në të vërtetën që keni marrë. 13 Mendoj, pra, se është e drejtë, derisa të jetoj në këtë trup, t’iu nxis me anë të qortimit të rrini zgjuar, 14 sepse e di se nuk do të vonoj të ndahem nga trupi im, siç më vuri në dijeni edhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti. 15 Por vetë do të kujdesohem që edhe pas vdekjes sime t’jua mundësoj t’i keni parasysh gjithmonë këto mësime.

Lavdia e Krishtit dhe fjala profetike

16 Sepse nuk ju shpallëm Fuqinë dhe Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij. 17 Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga Lavdia e madhërueshme, i tha: »Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa«. 18 - zë të cilin, tek zbriste nga qielli e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë.

19 Kështu u vërtetua fjala e profetëve dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët - derisa të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja.

20 Para të gjithash dijeni mirë këtë: asnjë profeci që gjendet në Shkrim i Shenjtë nuk mund të shpjegohet sipas trillit të kujtdo, 21 sepse askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit.

2 e Pjetrit: 2. Profetët dhe mësuesit e rrejshëm

2

1 Ka pasur profetë të rrejshëm edhe në e Izraelit, sikurse edhe ndër ju do të ketë mësues të rrejshëm, që fshehurazi do të shtien herezi të dëmshme, do ta mohojnë edhe Zotëruesin që i shpërbleu dhe mbi vete do të sjellin dënimin që nuk do të vonojë. 2 Shumë do t’i ndjekin epshet e ulëta të tyre dhe për shkak të tyre do të shahet udha e së vërtetës. 3 Ata në lakmimin e vet do t’iu shfrytëzojnë ju me fjalë gënjyese, porse dënimi i tyre është tanimë në veprim dhe shkatërrimi i tyre nuk vonon.

4 Dhe vërtet, nëse Hyji nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i plandosi në Tartar dhe i dorëzoi në humnerat e errëta të ruhen për Gjyq; 5 nëse nuk e kurseu as botën e vjetër - shpëtoi vetëm Noehin vetë të tetin, lajmëtarin e drejtësisë - por lëshoi përmbytjen mbi botën e të patenzonëve; 6 nëse qytetet: Sodomën e Gomorrën i bëri hi: i dënoi dhe i la shembull për të patenzonë të ardhshëm; 7 nëse e liroi Lotin e drejtë që s’mund ta duronte më sjelljen e poshtër të të këqijve 8 - e njëmend, këtij të drejti që jetonte në mesin e tyre i helmohej shpirti dita-ditës duke shikuar dhe dëgjuar veprat e poshtra të tyre - 9 domethënë se Zoti di t’i lirojë besimtarët nga prova, por edhe të mbrapshtët do t’i ruajë për t’i ndëshkuar Ditën e Gjyqit, 10 sidomos ata që në veset e veta shkojnë pas prirjeve të ndyta të mishit dhe të gjakut dhe përbuzin Madhërinë hyjnore.

Krenarë, arrogantë, që nuk tremben të vënë gojë mbi qenie të lavdishmie, 11 ndërsa engjëjt, më të mëdhenj se ata për kah forca e për kah pushteti, nuk sjellin para Zotit kundër tyre gjyq poshtërues. 12 Kurse këta, shtazë të paarsyeshme të lindura prej natyrës për gjah e për shfarosje, shajnë çka nuk njohin. Do të mbarojnë siç mbarojnë shtazët: 13 do të marrin shpërblimin e padrejtësisë. Çmojnë kënaqësi të bëjnë shfreni në pikë e ditës! Ndyrësi dhe turpësi! Kënaqen me gënjeshtrat e veta ndërsa gostiten bashkë me ju! 14 Sytë e tyre gjithmonë të ngulur në ndonjë lavire, kurrë nuk ngihen me mëkat; ngashënjejnë shpirtra të lëkundshëm, zemrat i kanë të stërvitura në lakmime, bij mallkimi! 15 E lanë udhën e vërtetë, shkuan pas Balaamit, birit të Bosorit, i cili e mori pagën e padrejtësisë, 16 por mori edhe qortimin për veprën e vet të keqe: si njeri foli shtaza e pagojë dhe e pengoi marrëzinë e profetit.

17 Këta njerëz janë gurra pa ujë, re që i mbart era. Për ta ruhet terri i zi. 18 Me fjalë të mëdha e të kota i ngashënjejnë me ëndjet e ulëta të mishit e të gjakut ata që posa u larguan nga ata që jetojnë në gabim. 19 U premtojnë lirinë e vetë janë skllevër të paudhësisë. E njëmend, gjithkush është skllavi i atij që e mundi. 20 Vërtet, nëse ia dolën njëherë të ikin nga ndyrësitë e botës me anën e njohjes së Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, por prapë rishtas ngatërrohen në to dhe munden nga ato, gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. 21 Këndej, më mirë do të kishte qenë për ta të mos e kishin njohur kurrë udhën e drjetësisë se sa, pasi e njohën një herë, t’ia sjellin shpinën urdhrit të shenjtë që u qe dhënë. 22 U ndodhi çka thotë fjala e urtë:

»Qeni u kthye në të vjellat e veta«. dhe: »Derri i larë u kthye të zhgërryhet në llom«.

2 e Pjetrit: 3. Premtimi i udhës së Zotit

3

1 Të dashurit të mi! Ja, po ju shkruaj letrën e dytë. Në të dyja mundohem ta zgjoj kuptimin tuaj të shëndoshë me anë të porosisë, 2 që t’i kujtoni fjalët e paralajmëruara prej profetëve të shenjtë dhe urdhrin e Zotit dhe Shëlbuesit që shpallën apostujt tuaj.

3 Më së pari duhet ta dini: në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që do të përqeshin; ata do të jetojnë sipas prirjeve të veta të ulta 4 dhe do të pyesin: »Ku është premtimi i Ardhjes së tij? Sepse, që kur vdiqën të parët tanë, gjithçka mbetet si në fillim të krijimit!« 5 Ata me qëllim harrojnë se qielli është që moti dhe se toka, në fuqi të fjalës së Hyjit, nxori prejardhjen nga uji dhe nëpër ujë. 6 Po në të njëjtën mënyrë, bota e atëhershme, e përmbytur me ujë, mbaroi. 7 Edhe qielli dhe toka e tanishme, prej të njëjtës fjalë, ruhen për zjarr dhe presin Ditën e Gjyqit dhe shkatërrimin e njerëzve të këqij.

8 Por një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme: 9 Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen. 10 Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi: Atë ditë qiejt do të zhduken me krizmë; elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.

11 Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri, 12 ju që e prisni dhe e shpejtoni Ditën e Ardhjes së Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. 13 Ne veç, sipas premtimit të tij, presim »qiellin e ri dhe tokën e re«, ku banon drejtësia.

14 Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe! 15 Po edhe duresën e Zotit tonë çmojeni si rast shëlbimi, sikurse edhe Pali, vëllai ynë i dashur, ju shkroi me dijen që iu dhurua. 16 Kështu ai thotë në të gjitha Letrat, ku flet për këto gjëra. Në to ka nga diçka që merret vesh vështirë, çka të padijshmit dhe të paqëndrueshmit e shtrembërojnë, si bëjnë edhe me pjesët e tjera të Shkrimit të shenjtë - në dënim të vetvetes.

17 Ju, pra, o të dashur, pasi jeni të porositur që më parë për këto, ruajuni që, të marrë mendsh nga gabimi i të mbrapshtëve, të mos e humbisni sigurinë që jep feja! 18 Por rrituni në hir dhe në njohje të Zotit tonë Jezu Krishtit Shëlbues! Atij i qoftë lavdia që tani dhe deri në ditë të amshimit. [Amen].