Jeremia: 1. Në kohën e Jozisë

1

1 Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit. 2 Atij i qe drejtuar fjala e Zotit, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, të trembëdhjetin vit të mbretërimit të tij; 3 pastaj edhe në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në mbarimin e të njëmbëdhjetit vit të Sedecisë, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në shpërngulje të Jerusalemit në muajin e pestë.

I. PROFECITË KUNDËR JUDËS E JERUSALEMIT

1. NË KOHËN E JOZISË

Thirrja e Jeremisë

4 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

5 “Para se të të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha

e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova,

të caktova të jesh profet i popujve.

6 Përgjigjja: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!”

7 Por Zoti m’u përgjigj:

Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’

Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj

dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj.

8 Mos ki kurrfarë frike para tyre,

sepse unë jam me ty për të të mbrojtur,

‑ është fjala e Zotit.

9 Atëherë Zoti e shtriu dorën e vet, ma preku gojën time

e më tha:

“Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.

10 Ja, sot po të vë

përmbi popuj e përmbi mbretëri,

për të çrrënjosur e për të rrënuar,

për të shkatërruar e për të shpërndarë,

për të ndërtuar e për të mbjellë.”

11 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Çfarë po sheh, o Jeremi?” Unë u përgjigja: “Shoh thuprën e bajames vigjiluese.”

12 Pastaj Zoti më tha: “Mirë pe, sepse unë rri zgjuar mbi fjalën time për ta zbatuar.”

13 Më qe drejtuar edhe së dyti fjala e Zotit e më tha: “Çfarë po sheh?” Unë u përgjigja: “Shoh kusinë mbi zjarr të ndezur me grykë që i anon drejt veriut.”

14 Atëherë Zoti më tha:

“Nga veriu do të hapet e keqja

kundër të gjithë banorëve të dheut.

15 Sepse, ja, unë po i thërras

të gjitha mbretëritë e veriut”,

‑ është fjala e Zotit.

Ato do të vijnë: secili do ta vërë fronin e vet

në hyrje të dyerve të Jerusalemit,

përballë mureve të tij, rreth e rreth

dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës.

16 Do t’i shpall të gjitha gjyqet e mia kundër tyre

mbi të gjithë keqbërësinë e tyre:

sepse më kanë braktisur

e u kushtuan kem hyjnive të huaja

dhe adhuruan veprën e duarve të veta.

17 Prandaj ngjeshi ijët e tua!

Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha

që unë po të urdhëroj.

Aspak mos u tremb para tyre,

përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!

18 Ja, unë sot ty po të bëj

qytet të fortifikuar,

shtyllë hekuri,

mur tumbaku

përballë të gjithë vendit,

përballë mbretërve të Judës

e princave të tij,

priftërinjve të tij e popullit të vendit.

19 Ata do të luftojnë kundër teje,

por s’do të ngadhënjejnë mbi ty,

sepse unë jam me ty,

që të të shpëtoj,

thotë Zoti.”

Jeremia: 2. Predikimet e para të Jeremisë: apostazia e Izraelit

2

1 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

2 “Shko e shpall në veshët e Jerusalemit

e thuaj:

Kështu thotë Zoti:

Me mall të kujtoj,

e kujtoj afshin e rinisë sate,

dashurinë e fejesës sate,

kur më ndoqe në shkretëtirë,

në vende ku asgjë nuk mbillet.

3 Izraeli ishte gjëja e shenjtë e Zotit,

fryti i parë i të korrave të tij;

kushdo hante prej tij, e paguante:

e gjente e zeza ‑ është fjala e Zotit.

4 Dëgjojeni fjalën e Zotit,

shtëpia e Jakobit,

e ju të gjitha barqet e shtëpisë së Izraelit!

5 Kështu thotë Zoti:

Ç’paudhësi gjetën në mua etërit tuaj

që u larguan prej meje

e shkuan pas kotësisë

dhe u bënë të kotë?

6 E nuk pyetën: ‘Ku është Zoti

që na nxori nga dheu i Egjiptit,

që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë,

nëpër vend të pabanuar e të papërshkueshëm,

nëpër vend etjeje e terri,

nëpër vendin kah s’kaloi njeri,

ku askush nuk nguli të banojë?’

7 Unë ju shpura në një vend me kopshte

që t’i hani frytet e të mirat e tij,

por posa hytë e përdhosët vendin

dhe e bëtë iri trashëgimin tim.

8 Priftërinjtë nuk thanë:

‘Ku është Zoti?’.

Shtjelluesit e Ligjit nuk më njohën,

barinjtë u çuan kundër meje,

profetët profetizuan në emër të Baalit,

dhe shkuan pas atyre që asgjë s’ndihmojnë.

9 Prandaj përsëri do të bëj gjyq me ju

‑ thotë Zoti,

e me bijtë e bijve tuaj do të bëj gjyq.

10 Kaloni në ishujt e ketimëve e shihni,

dërgoni njerëz në Cedar e hollë vëzhgoni

e shihni a ka ndodhur ndonjë gjë e tillë:

11 a i ka ndërruar ndonjë popull zotat ‑

e pra, ata as zota nuk janë!,

kurse populli im e këmbeu nderin e vet

me diçka që s’vlen asgjë!

12 Çudituni mbi këtë gjë, o qiej,

tmerrohuni pa masë nga habia

‑ thotë Zoti!

13 Sepse dy të këqija bëri populli im:

më la mua, burimin e ujit të gjallë,

që të hapë për vete puse,

puse të shpuara

që s’mund ta mbajnë dot ujët!

14 Vallë a skllav është Izraeli,

apo skllav i lindur në shtëpi?

Përse, pra, erdh e u bë pre?

15 Kundër tij ulërijnë luanët,

e lartësojnë zërin e vet;

tokën e tij e kthyen në shkretëtirë:

qytetet e tij shkrumb u dogjën

e askush në to nuk banon.

16 Deri bijtë e Memfisit e të Tafnesit

kokën tënde do ta rruajnë!

17 Vallë, a thua kështu s’të ndodhi

pse e le Zotin, Hyjin tënd,

atëherë kur të printe udhës?

18 E tashti përse nisesh për Egjipt

a për të pirë ujët e Nilit?

Pse merr udhën e Asirisë

a për të pirë ujët e Lumit?

19 Po të dënon fajësia jote,

po të ndëshkon cubnia jote!

Dije e shih sa gjë e keqe

dhe sa gjë e hidhur është

të kesh lënë Zotin, Hyjin tënd,

e të mos dridhesh më përpara meje,

‑ thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.

20 Po, ti që moti e theve zgjedhën tënde,

i këpute zinxhirët e tu

e the: ‘S’dua të shërbej!’

E megjithatë, në çdo bregore të lartë

edhe nën çdo pemë të gjelbër

shtroheshe porsi lavire.

21 E pra, unë të mbëltova vresht të zgjedhur,

çdo fidan hardhi të butë,

si atëherë erdhe e u shndërrove

në shermende të zvetënuara

të vreshtit të egër?

22 Por sikur edhe me fi të laheshe,

sa do shumë hi të kishe qitur,

para meje s’të hiqet dot njolla

e fajësisë sate

‑ thotë Zoti Hyj.

23 Si guxon të thuash: ‘S’jam e zhytur!

Nuk shkova përpas baalëve’?

Shikoji gjurmët e tua në Luginë,

kujtohu se çfarë ke bërë.

Gamilja e shpejtë që i dredh udhët e veta,

24 gomarica e egër e mësuar në stepë,

në epshin e vet erë ajrit i merr,

në kohën e mbarsimit kush mund ta zotërojë?

Të gjithë ata që e kërkojnë, nuk do të lodhen,

në mujoret e saj lehtë, po, do ta gjejnë!

25 Ruaje këmbën tënde të mos zbathet,

e fyti yt të mos thahet nga etja!

Por ti thua: ‘Është e kotë! Jo, assesi!

U dashurova me të huajt,

pas tyre do të shkoj!’

26 Sikurse turpërohet vjedhësi,

kur zihet në vjedhje,

kështu do të mbeten të turpëruar

ata të shtëpisë së Izraelit,

ata, mbretërit e tyre, princat,

priftërinjtë dhe profetët e tyre

27 që i thonë drurit: ‘Ti je im atë!’

dhe gurit: ‘Ti më linde!’

Shpinën më sollën e jo fytyrën,

por ditën e fatkeqësisë

ndihmë do të kërkojnë:

‘Çohu e na shpëto!’

28 Ku janë hyjnitë e tua

që për vete i punove!

Ata le të ngrihen e le të të shpëtojnë

ditën e fatkeqësisë sate.

Sepse, o Judë, sa qytete ke

aq janë dhe hyjnitë e tua!

29 Pse kërkoni të bëni gjyq me mua?

Të gjithë ju u çuat kundër meje,

‑ është fjala e Zotit.

30 Kot i godita bijtë tuaj:

por ata nuk e kuptuan mësimin.

Shpata juaj i përlau profetët tuaj,

porsi luani shfarosës.

31 Pjellë e keqe!

Shikoni se çka thotë Zoti:

A thua shkretëtirë iu bëra Izraelit,

apo ndoshta tokë errësirash?

Pse atëherë tha populli im:

‘U larguam, më s’vijmë te ti?’

32 Pse, a e harron virgjëra stolinë e vet,

ose nusja brezin e belit të vet?

E populli im mua më harroi

tanisa e sa ditë, pa numër!

33 Oh, sa mirë gati e bën udhën tënde

për të kërkuar dashurinë!

Madje edhe udhën e së keqes

e ke bërë shprehi për vete.

34 Në kindin e petkave të tua

u gjet gjaku i të varfërve të pafajshëm:

e nuk i zure duke të thyer shtëpinë!

E për të gjitha këto

35 ti the: ‘Unë jam i pafajshëm,

këndej larg meje është zemërimi i tij!’

Por ja, në gjyq po hyj me ty

për arsye se the: ‘S’mëkatova!’

36 Oh, sa lehtë i ndërron udhët e tua!

Po edhe prej Egjiptit do të turpërohesh,

si u turpërove prej Asirisë!

37 Po se edhe prej tij do të dalësh

me duar të tua mbi kokë tënde,

sepse Zoti i përbuzi ata,

mbi të cilët ti u mbështete;

kurrfarë dobie prej tyre s’do të kesh!

Jeremia: 3. Kthimi

3

1 Nëse një burrë e ndan gruan e vet

dhe kjo, duke u larguar prej tij,

martohet me një burrë tjetër,

a ka të drejtë të kthehet përsëri tek ai?

Vallë, a nuk është e përdhosur

dhe e fëlliqur ajo tokë?

E ti që u fëlliqe me dashnorë të shumtë,

vallë a ke fytyrë të kthehesh tek unë?,

‑ thotë Zoti.

2 Lartësoji sytë e tu drejt kodrash e shih:

a ka ndonjë vend ku nuk fëlligështove?

Rrije në udhë duke i pritur

porsi arabi në shkretëtirë.

Ti e përdhose vendin

më fëlligështinë e fajësinë tënde.

3 Këndej dhe shirat u ndaluan

dhe as të vjeshtës më nuk ranë.

Balli yt ballë lavireje,

as të skuqesh ti nuk dite!

4 E tashti vallë a s’më thërret: ‘Ati im!

ti je prijësi i rinisë sime!

5 A gjithmonë do të jetë i hidhur?

Zemërimi yt prapë do të qëndrojë?’

Ti kështu flet edhe vazhdon

ta bësh të keqen dhe e tepron.”

Izraeli i veriut i grishur për t’u kthyer

6 Në ditët e mbretit Jozi Zoti më tha: “A pe se ç’bëri Felëshuesja ‑ Izrael? Vetë shkoi mbi çdo mal të lartë e nën çdo dru të gjelbër bëri fëlligështi. 7 Unë mendoja: ‘Pasi t’i ketë bërë të gjitha këto, do të kthehet tek unë’; por ajo nuk u kthye. Pa Juda, motra e saj e pabesë. 8 Pa edhe se për shkak se bëri fëlligështi Felëshuesja Izrael, unë e lëshova dhe ia dhashë letërlëshimin dhe aspak s’u tremb e pabesa Judë, motra e saj, por shkoi e u bë lavire edhe ajo. 9 Kështu me lavirësinë e saj të paturpshme e përdhosi vendin dhe e theu kurorën me gurë e me dru. 10 E pas të gjitha këtyre, nuk m’u kthye e pabesa motra e saj, Juda, me gjithë zemrën e vet, por me rrena”, thotë Zoti.

11 E Zoti më tha: Felëshuesja ‑ Izrael, në krahasim me të Pabesën Judë, u dëftua më e drejtë. 12 Shko e klithi me zë të lartë këto fjalë në drejtim të Veriut! Thuaj:

Kthehu, Felëshuesja ‑ Izrael, thotë Zoti,

dhe nuk do ta kthej fytyrën time prej jush,

sepse unë jam i mëshirshëm,

‑ thotë Zoti,

e nuk do ta mbaj hidhërimin përgjithmonë.

13 Por pranoje fajësinë tënde,

sepse u çove kundër Zotit, Hyjit tënd,

u ende ndër të huaj

nën çdo dru të gjelbër

e zërin tim nuk e dëgjove,

‑ thotë Zoti.

Populli mesianik në Sion

14 Kthehuni, o bij që u ngritët kundër meje, ‑ thotë Zoti ‑ sepse unë jam Zoti juaj. Do t’ju marr nga një prej çdo qyteti e nga dy prej çdo barku e do t’ju shpie në Sion. 15 Unë do t’ju jap barinj sipas zemrës sime e do t’ju udhëheqin me dije e urti. 16 Kur pastaj të shumoheni e të jeni shtuar në vend, ndër ato ditë ‑ thotë Zoti ‑ më nuk do të thuhet: ‘Arka e Besëlidhjes së Zotit’, askush nuk do të mendojë për të, as s’do t’u bjerë ndër mend për të, as s’do të kërkohet, as s’do të ripunohet më. 17 Në atë kohë Jerusalemi do të quhet: ‘Froni i Zotit’; të gjithë popujt, atje, në Jerusalem, do të bashkohen në emër të Zotit, dhe më nuk do të jetojnë sipas pabesisë së zemrës së tyre tejet të prishur.

18 Në ato ditë shtëpia e Judës do të shkojë në shtëpinë e Izraelit dhe, së bashku, do të vijnë nga toka e Veriut në tokën që ua dhashë për trashëgim etërve tuaj.

Vazhdim i këngës mbi kthimin

19 E unë thashë:

Oh, sa do t’doja të të numëroja ndër bij

e ta jepja tokën e dëshirueshme,

trashëgimin, margaritarin më të bukur ndër popuj!

Mendoja: Atë do të më quani

dhe s’do të pushoni së ardhuri pas meje.

20 Por, siç e përbuz gruaja dashnorin e vet,

po ashtu më përbuzët mua, shtëpia e Izraelit!

‑ thotë Zoti.

21 Dëgjo! Përmbi kodra u dëgjua një zë:

vaji e dënesjet e bijve të Izraelit,

sepse e lanë rrugën e vet,

harruan Zotin, Hyjin e vet.

22 “Kthehuni, o bij, që ma kthyet shpinën,

se unë dua t’i shëroj kryengritjet tuaja!”

‑ Ja, ne po vijmë te ti,

sepse ti je Zoti, Hyji ynë!

23 Vërtet, të rreme ishin kodrat

po ashtu edhe zhurmat në male!

Njëmend në Zotin, Hyjin tonë,

Izreali e gjen shpëtimin!

24 E përlau Turpi mundin e etërve tanë

që nga rinia jonë,

grigjat e loritë e tyre,

bijtë e bijat e tyre.

25 Le të mbështillemi me turpin tonë

le të na mbulojë turpi ynë,

pse mëkatuam

kundër Zotit, Hyjit tonë,

ne edhe etërit tanë

prej rinisë e deri më sot

e s’e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!

Jeremia: 4. Pushtimi nga veriu

4

1 “Nëse do të kthehesh, o Izrael,

‑ është fjala e Zotit ‑

kthehu tek unë!

Nëse i zhduk para meje Turpësitë e tua,

s’ke nevojë të ikësh prej meje.

2 Përbetohu: ‘Pasha Zotin e gjallë!’,

me vërtetësi, drejt e me drejtësi!

në ty popujt do të bekohen,

me ty ata do të mburren!

3 Sepse Zoti kështu u thotë

judenjve e jerusalémasve:

Çilni djerret tokë të re

e mos mbillni nëpër ferra.

4 Rrethprituni në nder të Zotit,

rrethpriteni zemrën tuaj,

o judenj e jerusalemas,

që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im,

të ndizet flakë e të mos ketë kush ta shuajë,

për shkak të veprave tuaja të pabesa.”

Pushtimi nga veriu

5 Kushtrim lëshoni në Jude!

Shpallni në Jerusalem!

Thirrni, me bori lajmëroni vendin,

të madhe bërtitni edhe thoni:

‘Bashkohuni!

Në fortesa të gjithë të hyjmë!’

6 Lartësoni një shenjë në drejtim të Sionit!

Ikni! Mos u ngarritni!

Sepse unë po sjell të keqen nga Veriu,

një rrënim të madh!

7 Doli luani nga strofulli i vet,

u ngrit vrasësi i popujve;

doli prej vendit të vet

për ta bërë vendin tënd shkretëtirë:

qytetet e tua do të shkretohen

e do të mbesin pa banorë.

8 Prandaj vishuni me grathore,

vajtoni e ulëritni,

se prej nesh nuk u largua

zjarri i zemërimit të Zotit.

9 Po atë ditë

‑ është fjala e Zotit ‑

mbretër e princa do t’i lëshojë zemra,

shtang do të mbesin priftërinjtë,

në vrimë të miut do të hyjnë profetët!’

10 Unë thashë: “Eheu, Zoti Hyj!

Pra, këtë popull e Jerusalemin

e paske gënjyer kur i the:

‘Paqja kurrë s’do t’ju mungojë!’

Por, ja, shpatën e kemi në fyt!”

11 Po në atë kohë do t’i thuhet

këtij populli e Jerusalemit:

“Era përcëlluese

e kodrave që janë në shkretëtirë

pushtoi bijën e popullit tim,

jo për të hedhur e për ta pastruar.

12 Më e fortë se kjo një tjetër erë,

ja, po vjen nën urdhrin tim.

13 Ja, po ngjitet porsi reja,

si stuhi karroca e tij,

kuajt e tij më të shpejtë se shqipet!

Vaj për ne se sharruam shqim!

14 Laji fajet e zemrës sate

që të shpëtosh, Jerusalem!

Deri kur dot’i ruash në zemër

synimet e mbrapshta të tuat?

15 Nga Dani zëri i kasnecit

e nga mali i Efraimit

lajmëron kumtin e fatkeqësisë:

16 Lajmëroni kombet! Ja, arritën!

Njoftoni Jerusalemin:

Prej së largu po vijnë armiqtë

dhe lëshojnë britma

mbi qytetet e Judesë.

17 Po e rrethojnë porsi rojtarët e fushës,

pse ndaj meje ishte kokëfortë

‑ është fjala e Zotit.

18 Sjellja jote dhe veprat e tua

ta bënë këtë.

Kjo është fatkeqësia jote,

oh, sa e hidhur që është,

sepse të ther mu në zemër!

19 Digjem përbrenda, përvëlohem!

Më mbytën dhimbjet! M’u copëtua zemra!

Shpirti më dridhet!

S’mund të hesht

se borisë ia dëgjoj zërin,

urratë e luftës!

20 Mjerim përmbi mjerim dëgjohet:

i tërë vendi u shkretua,

çadrat papritmas m’u shkretuan,

shkuan dëm strehimet e mia!

21 Deri kur do të shoh flamurin,

do të dëgjoj zërin e bririt?

22 Po, i pamend është populli im,

kurrë s’më njohën.

Janë bij të marrë edhe të krisur,

kanë aq dije sa për të bërë të këqija,

aftësi s’kanë për ta bërë të mirën.

23 Shikoj tokën: është shkretë, e zbrazët,

shikoj qiellin: ka mbetur pa dritë!

24 Shikoj malet: dhe, ja, po dridhen,

shikoj kodrat: të gjitha po tunden!

25 Shikoj përreth: s’shoh me sy njeri,

shpendët e qiellit të gjithë u larguan!

26 Shikoj: toka e pëlleshme u bë shkretëtirë,

qytete të tëra grumbuj rrënojash

para Zotit,

para zjarrit të zemërimit të tij!

27 Sepse kështu flet Zotynë:

“Mbarë vendi do të shkatërrohet,

por krejtësisht nuk do ta zhduk.

28 Prej tij toka në zi do të vishet

e lart, qielli do të errësohet,

sepse thashë dhe s’do të pendohem,

kështu vendosa dhe s’kthehem dalë!”

29 Sapo u dëgjua klithma

e kalorësit dhe shigjetarët,

mbarë qyteti vihet në ikje,

struken thellë ndër pyje të dendura,

ngjiten edhe nëpër qeta;

mbarë qytetet u braktisën,

në to s’mbeti njeri i gjallë.

30 Ti, o e shkretuara, ç’do të bësh?

Sikur edhe me purpur të vishesh,

Sikur edhe me stoli ari të cingëlohesh,

edhe sytë e tu me ngjyrë t’i lyesh,

kot më kot zbukurohesh!

Dashnorët e tu të përbuzin,

jetën tënde duan ta marrin!

31 Po dëgjoj britmën si të gruas në të lindur, klithmën si të gruas që lind së pari:

janë këto klithmat e bijës së Sionit,

në grahma të vdekjes që duart i shtrin:

“E mjera unë! Shpirti po më del

prej goditjeve të vrastarëve!”

Jeremia: 5. Shkaqet e pushtimit

5

1 Enduni udhëve të Rusalemit,

vëreni mirë edhe shikoni,

kërkoni në sheshet e tij,

a mund ta gjeni një njeri të vetëm,

një njeri që e zbaton të drejtën,

që kërkon të jetë besnik,

vetë qytetin do ta fal.

2 Por edhe “Pasha Zotin” kur thonë,

është e sigurt se betohen në rrenë.

3 Sytë e tu, Zot, a s’kërkojnë besën?

ti i godite e ata s’ndiejnë dhimbje,

i ndrydhe, por nuk nxënë mend:

fytyra e tyre më e fortë se shkëmbi,

s’duan të kthehen.

4 Unë mendoja: ‘Vetëm vegjëlia marrëzisht vepron

pse s’e njeh udhën e Zotit,

s’e di të drejtën e Hyjit të vet.

5 Do të shkoj, pra, të takoj bujarët,

do të flas me ta,

ata e njohin udhën e Zotit,

e dinë të drejtën e Hyjit të vet.’

Oh mjerim! Edhe këta e kanë thyer zgjedhën,

këputur i kishin të gjitha lozet.

6 Ja pse i sulmon nga pylli luani,

emnesë në ta bën bisha e malit,

në pritë qyteteve u rri leopardi:

kush del jashtë copë e grimë do të bëhet,

sepse të shumta janë mëkatet e tyre,

janë të shumta kryengritjet e tyre!

7 E si mund të kem unë dhimbje për ty?

Bijtë e tu më kanë braktisur,

përbetohen në zota që s’janë.

Unë i ngija,

e ata më shkelnin besnikërinë,

grumbull shkonin në shtëpi të lavires.

8 Kuaj të majmë janë, hamshorë të

të ndezur,

hingëllojnë pas gruas së të afërmit.

9 A thua të tillët s’do t’i godas

‑ është fjala e Zotit ‑

mbi njerëz të tillë nuk do të hakmerrem?

10 Kërceni mbi mure të tij, shkatërrojeni,

por krejtësisht veç mos e zhdukni!

këputni shermendet e tij,

se s’janë të Zotit!

11 Se më tradhtuan me pabesi

shtëpia e Izraelit dhe e Judës,

‑ është fjala e Zotit.

12 Mohuan Zotin,

thanë: ‘Nuk është!

Asnjë e keqe s’do të na gjejë,

shpatë, uri s’kemi për të parë!

13a Profetët janë porsi era,

përgjigje nuk ka ndër ta!’

14a Prandaj kështu thotë Zoti,

Hyji i Ushtrive:

13b Ja se çka do t’ju ndodhë

14 pse keni folur kështu:

në zjarr do t’i kthej fjalët e mia

në gojën tënde

e këtë popull në dru

që ta përpijë zjarri.

15 Ja, unë do ta sjell kundër jush

një popull prej së largu,

o shtëpia e Izraelit

‑ thotë Zoti ‑

një popull të pamposhtshëm,

një popull të lashtë,

popull, që s’do t’ia njohësh gjuhën,

që s’do të kuptosh se çka të thotë.

16 Kukurra e tij varr i hapur,

të gjithë janë trima të zgjedhur.

17 Ai do t’i hajë të korrat e tua e bukën tënde,

do t’i përpijë bijtë e bijat e tua,

do t’i hajë grigjat e tua e lorinë tënde,

do ta hajë vreshtin tënd e fiqtë e tu,

rrafsh do t’i bëjë kalatë e tua,

në të cilat mbështetej shpresa jote.

Dy shtojca

18 Megjithëkëtë, unë as atëherë

‑ thotë Zoti ‑

krejtësisht nuk do të të zhduk.

19 E nëse do të thoni: “Pse na i bëri Zoti, Hyji ynë, të gjitha këto?”, thuaju: “Siç më latë mua e u shërbyet hyjnive të huaja në vendin tuaj, po ashtu do t’u shërbeni të huajve në një vend që s’është juaji.”

Me rastin e një urie /?/

20 Lajmërojani këtë gjë shtëpisë së Jakobit

dhe shpalleni këtë në Judë:

21 “Dëgjo, o popull i marrë e i pamend:

‑ sytë i kanë, por nuk shohin,

veshët i kanë, por nuk dëgjojnë!

22 Vallë, a mua nuk do të më druani

‑ është fjala e Zotit ‑

a s’do të dridheni para fytyrës sime?

Unë që ia vura për pritë, rërën detit

kufi të përhershëm që s’do ta kalojë.

Ai valëzon, por s’ka fuqi, gjëmojnë,

valët e tij, por s’do ta kalojnë.

23 Zemër tekanjoz e kryengritës është ky popull,

ata prej meje u larguan e shkuan

24 e as ndër mend nuk u shkoi të thonë:

“Le ta druajmë Zotin, Hyjin tonë,

që na e dhuron shiun me kohë

të vjeshtës e të pranverës;

që na i ruan javët

e caktuara për korrje.”

25 Fajet tuaja e çrregulluan këtë rend,

mëkatet tuaja jua humbën mirëqenien.

Rimerret tema

26 Po, në popullin tim ka njerëz të paudhë,

që struken në pritë porsi gjuetarët,

që vënë leqe për të kapur njerëz.

27 Si flanikthi joshës plot me zogj,

shtëpitë e tyre janë plot dredhi,

këndej u bënë të mëdhenj e të pasur,

28 u majën e u dhjamosën:

i kapërcyen kufijtë e së keqes:

çështjet e drejta nuk i mbrojnë,

çështjen e bonjakut që të jenë të lumë,

nuk e mbrojnë të drejtën e të varfërve.

29 Vallë, a s’do t’i ndëshkoj këto faje

‑ është fjala e Zotit ‑

ose mbi njerëz të tillë

a thua s’do të hakmerrem?

30 Gjëra të tmerrshme e të frikshme

po ngjajnë në këtë vend:

31 profetët profetizojnë rrena

e priftërinjtë po i durtrokasin

e popullit tim kjo po i pëlqen.

Po ç’do të bëni kur të vijë fundi?

Jeremia: 6. Përsëri mbi pushtimin

6

1 Ikni, bijtë e Beniaminit,

jashtë Jerusalemit!

Bini borisë në Tekua,

në Betkarem ngritni flamurin,

se prej Veriut po vjen rreziku,

një fatkeqësi shumë e madhe.

2 Bëra të mos i dëgjohet zëri

bijës së hijshme e të bukur të Sionit.

3 Tek ajo po vijnë barinjtë

së bashku me grigjat e veta,

rreth e rreth në të ngulin çadrat,

kullot secili pjesën e vet.

4 Përgatiteni luftën e shenjtë kundër saj!

Në këmbë! Ta sulmojmë në mesditë!

Vaj për ne se shkoi nga mbarimi dita,

sepse u zgjatën hijet e mbrëmjes!

5 Në këmbë! Le ta sulmojmë natën,

t’i rrafshojmë pallatet e saj!

6 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Pritni drurët e saj,

ngritni pendën rreth Jerusalemit;

qytet për t’u ndëshkuar është ky,

çdo gënjeshtër gjendet në mesin e tij!

7 Sikurse rrjedh uji prej burimit,

po ashtu prej tij rrjedh paudhësia.

Në të dëgjohet dhunë e shkretim,

para meje gjithnjë sëmundje e plagë.

8 Pranoje mësimin, o Jerusalem,

që të mos largohem prej teje,

që të mos të të shkretoj,

të mos të të bëj vend të pabanueshëm.

9 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Porsi në vresht deri në vilen e sprasme

do të kokrrohet ç’teproi prej Izraelit.

Sille dorën tënde

porsi vjelësi nëpër hardhi!”

10 Por, kujt t’i flas, kë ta qortoj,

që të më dëgjojë?

Ja, të parrethprerë janë veshët e tyre,

prandaj s’mund të dëgjojnë!

Ja, fjala e Zotit është bërë për ta bezdi,

s’mund ta pranojnë.

11 Këndej plot jam me zemërimit e Zotit,

më s’mundem të përmbahem.

“Zbraze përmbi fëmijë në rrugë,

edhe mbi mbledhjen e të rinjve;

e do të kapen trim e grua,

plaku e burri në moshë të plotë.

12 Në duar të tjerëve do t’u kalojnë shtëpitë,

gjithashtu edhe arat e gratë,

sepse dorën do ta shtrij

mbi banorët e këtij vendi

‑ është fjala e Zotit.

13 Prej më të voglit deri tek më i madhi

të gjithë janë dhënë pas horrjatisë,

nga profeti deri te prifti,

të gjithë si një po bëjnë dredhi.

14 Mendjelehtas shërojnë plagën e popullit tim

e thonë: “Paqe! Paqe!” e paqe s’ka!

15 Le të turpërohen pse bënë turpëri,

por ata më s’dinë për turp,

por mjerisht nuk dinë të skuqen.

“Ja, pra, do të rrëzohen porsi të tjerët,

rrafsh do të bien kur t’i ndëshkoj,

‑ është fjala e Zotit.

16 Kështu thotë Zoti:

“Qëndroni në udhë e shikoni,

pyetni për shtigjet e vjetra,

cila udhë është e mirë, andej ecni

e paqe do të gjeni për shpirtrat tuaj.”

Por ata thanë: “Andej s’do të shkojmë!”

17 Atëherë vetë rojtarët u vura:

“Dëgjojeni zërin e bririt!”

Por m’u përgjigjën: “S’do ta dëgjojmë!”

18 Prandaj, dëgjoni, o popuj,

ta marrë vesh kuvendi i dheut,

se çfarë do t’u bëj atyre!

19 Dëgjo, o tokë!

“Këtij populli po ia sjell të zezën,

frytin e synimeve të tij,

sepse fjalët e mia s’i dëgjuan,

Ligjin tim nuk e zbatuan.

20 Po ç’më duhet kemi që vjen nga Saba,

kallami i erëndshëm nga vendi i largët?

Flitë e djegies nuk më pëlqejnë,

theroret tuaja s’i kam për zemër!”

21 Për këtë arsye Zoti thotë kështu:

“Ja, do të vë kundër këtij populli

pengesa në të cilat të rrëzohen

së bashku etër e fëmijë,

do të sharrojnë mik e i afërm.”

22 Kështu thotë Zoti:

“Ja, po vjen nga veriu një popull,

si mizëria është nga skajet e tokës,

23 ka ngritur në këmbë hark e heshtë,

është i egër e s’di ç’është dhimbja;

zhurma e tij si zhurma e detit,

po u hipin kuajve në shpinë,

si një të gjithë gati për luftë

kundër teje, Bija e Sionit.

24 Kur na arriti ky lajm:

duart tona i la fuqia,

frikë e madhe na pushtoi,

dhimbjet si dhimbje e lindëses.”

25 Assesi mos dilni në ara,

assesi mos merrni rrugë,

se ju pret shpata e armikut,

edhe tmerri gjithkund përreth.

26 Vesh grathoren, bija e popullit tim,

zhgërryhu mirë nëpër pluhur,

vajto veten si e vajtojnë të vetmin djalë,

bëj një gjëmë tejet të hidhur,

se papritmas na sulmoi vrastari!

27 Shqyrtues të bëra për pop’llin tim

t’ia njohësh e t’ia shqyrtosh udhën.

28 Të gjithë janë prijës kryengritës

që jetojnë me dredhi.

Tumbak e hekur:

që të gjithë janë njerëz të prishur.

29 Në zjarr fryn rrëshiqi,

që plumbi të shtrihet;

porse shkrirësi më kot mundohet,

sepse elementet e këqija s’po ndahen dot!

30 Ata quajini “argjend i keq”,

sepse Zoti i përbuzi!

Jeremia: 7. a/ Nderimi i vërtetë i Hyjit

7

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë:

2 ”Qëndro para derës së shtëpisë së Zotit, shpalle aty këtë fjalë e thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju o judenj, që hyni nëpër këtë derë, për ta adhuruar Zotin. 3 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Përmirësoni udhët tuaja dhe veprat tuaja e do t’jua mundësoj të banoni në këtë vend. 4 Mos shpresoni në fjalët e rreme: ‘Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit! Tempulli i Zotit!’ 5 Por, në qoftë se ju përnjëmend e përmirësoni sjelljen tuaj dhe veprat tuaja, në qoftë se ju njëmend e zbatoni të drejtën njëri kundrejt tjetrit, 6 në qoftë se nuk do ta shfrytëzoni ardhacakun, bonjakun e të vejën, në qoftë se nuk do ta derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend dhe në qoftë se nuk do të ecni pas hyjnive të huaja në dëmin tuaj, 7 unë do të bëj që të banoni në këtë vend, në tokën që ua dhashë etërve tuaj përgjithmonë e jetës. 8 Por, ja, se ju e keni vënë shpresën tuaj në fjalë të rreme, që gjë s’ju ndihmojnë. 9 Çfarë? Të vidhni, të vritni, të fëlligështoni, të përbetoheni rrejshëm, t’i kushtoni Baalit kem, të shkoni pas hyjnive të huaja që nuk i njihni, 10 e atëherë të vini e të paraqiteni para meje në këtë Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im e të thoni: ‘Kemi shpëtuar!’, që të vazhdoni t’i bëni të gjitha këto turpëri. 11 Pse a shpellë cubash është bërë kjo Shtëpi, mbi të cilën është thirrur emri im ndër sytë tuaj? Po, por as unë nuk jam i verbër ‑ thotë Zoti.

12 Shkoni në vendin tim në Silo, ku dikur banoi emri im e shikoni çfarë i bëra atij për shkak të mbrapshtisë së popullit tim, Izraelit. 13 E tashti, pasi ju i keni bërë të gjitha këto të zeza ‑ thotë Zoti ‑ megjithëse ju kam folur pa pushuar e s’më keni dëgjuar, ju kam thirrur e nuk më jeni përgjigjur, 14 do të bëj me këtë Shtëpi, mbi të cilën u thirr emri im, e në të cilën ju keni shpresë e me këtë vend, që jua dhashë juve e etërve tuaj, siç bëra me Silon: 15 do t’ju flak larg fytyrës sime, siç i flaka të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit.

b/ Hyjnitë e huaja

16 E ti, ruaj se ndërmjetëson për këtë popull, ruaj se ndërmerr lutje ose përlutje, as mos m’u vër, sepse nuk do ta dëgjoj lutjen tënde. 17 Pse a nuk sheh se çka bëjnë në qytetet e Judës e në rrugë të Jerusalemit? 18 Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarr e gratë ngjeshin brumin për të pjekur kuleç “mbretëreshës së qiellit” edhe njomin njomje hyjnive të huaja për të më ngacmuar mua që të hidhërohem. 19 A thua më poshtërojnë mua ‑ është fjala e Zotit ‑ e jo vetveten për turpin e vet? 20 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, zemërimi im e zemërimi im do të zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëz e mbi kafshë, mbi drurët e fushës e mbi frytet e tokës, flakë do të ndizet e nuk do të fiket.

c/ Nderimi pa besnikëri

21 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shtojuni flive tuaja flitë e shkrumbimit dhe hajuani mishin. 22 Sepse unë nuk u kam thënë as nuk u kam urdhëruar etërve tuaj ditën që i nxora nga toka e Egjiptit në lidhje me flitë e shkrumbimit e të theroreve. 23 Porse unë u kam dhënë këtë urdhër: Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë. 24 Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën, 25 që nga dita kur etërit tuaj dolën nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme. E unë ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, si një ditë përditë e me kujdes. 26 Por ata s’më dëgjuan as s’më vunë vesh dhe u bënë kokëfortë dhe vepruan edhe më zi se etërit e tyre. 27 Ti thuaju të gjitha këto fjalë, por ata s’do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por ata s’do të të përgjigjen. 28 Atëherë thuaju: Ky është një popull që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet, e nuk e pranon mësimin. U zhduk besnikëria, u zhduk nga goja e tyre.

d/ Kundër idhujtarisë, kërcënim me shpërngulje

29 Preji flokët e gjatë dhe flaki!

Nisja kodrave të zhveshura gjëmës,

sepse Zoti e përbuzi dhe e flaku

brezninë që e zemëroi.

30 Sepse bijtë e Judës bënë çka është e keqe para syve të mi ‑ është fjala e Zotit; vendosën Turpëritë e veta në Tempullin që mbart emrin tim, për ta dhunuar. 31 Ndërtuan vende të larta të Tofetit që është në luginën Benennom për t’i djegur bijtë e bijat e veta në zjarr ‑ çka kurrë nuk u kam urdhëruar as kurrë nuk më ka shkuar nëpër mend. 32 Dhe, ja, po vijnë ditët ‑ thotë Zoti ‑ kur nuk do të quhet më Tofet as lugina Benennom, por lugina e Vrasjes. Në Tofet do të varrosen të vdekurit, sepse gjetiu nuk do të ketë vend. 33 Kufomat e këtij populli do të jenë ushqim për shpendët e ajrit e për bishat e malit dhe s’do të ketë kush t’i trembë. 34 Do të bëj të shuhen në qytetet e Judës e në rrugë të Jerusalemit zërat e gëzimit e të haresë, zëri i dhëndrit e zëri i nuses, sepse vendi do të kthehet në shkretëtirë.

Jeremia: 8. Kërcënime, ankime, mësime. Rënia e Izraelit

8

1 Në atë kohë ‑ thotë Zoti ‑ do t’i nxjerrin nga varret e tyre eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e prijësve të tij, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e atyre që banuan në Jerusalem 2 dhe do t’i shpërndajnë në drejtim të diellit, të hënës e të mbarë ushtrisë qiellore, të cilët i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve ecën, të cilët i kërkuan e të cilët i adhuruan; nuk do të mblidhen e nuk do të varrosen: pleh do të jenë mbi sipërfaqen e tokës. 3 Më e mirë do të jetë vdekja se jeta për të gjithë ata që do të mbesin gjallë prej kësaj breznie të prishur në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.

Kërcënime, ankime, mësime. Rënia e Izraelit

4 Ti thuaju atyre: kështu thotë Zoti:

Vallë, kush rrëzohet, a thua më nuk çohet,

nëse e humb rrugën, a thua prapë s’kthehet?

5 Pse atëherë endet ky popull,

Jerusalemi vazhdimisht pse është kundër?

U qepën pas gënjeshtrës,

të kthehen nuk dëgjojnë!

6 Dëgjova me kujdes:

nuk flasin siç ka hije,

asnjë nuk pendohet

për të keqen e vet

e s’thotë:

“Çfarë bëra?”

Të gjithë e ndjekin pa u kthyer vrapin e vet,

porsi kali që sulet në luftë.

7 Edhe lejleku nën qiell

e njeh kohën e vet,

turtulli, dallëndyshja edhe mullibardha

e di kohën kur duhet të kthehen,

kurse populli im

nuk e njeh të drejtën e Zotit!

Ligji në duar të priftërinjve

8 Si mund të thoni: “Ne jemi të urtë

e me ne është Ligji i Zotit?”

Vërtet në gënjeshtër e ka shndërruar

lapsi gënjeshtar i shkruesve.

9 Të turpëruar do të mbesin të urtët,

të tmerruar e të zënë në leqe,

sepse përbuzën fjalën e Zotit,

e në ta s’mbeti kurrfarë urtie.

Përsëritje e fragmentit kërcënues

10 Prandaj, gratë e tyre të tjerëve do t’ua jap,

pushtuesve arat e tyre,

sepse prej më të voglit deri tek më i madhi,

të gjithë janë dhënë pas horrjatisë,

prej profetit deri te prifti

të gjithë si një po bëjnë dredhi.

11 Mendjelehtas shërojnë plagën

e bijës së popullit tim

e thonë: “Paqe! Paqe!” e paqe s’ka.

12 Janë turpëruar pse bënë turpëri,

por ata nuk dinë për turp,

por mjerisht nuk dinë të skuqen.

“Ja, pra, do të rrëzohen porsi të tjerët,

rrafsh do të bien kur t’i ndëshkoj

‑ është fjala e Zotit.

Kërcënim vreshtit ‑ Judës

13 Doja në ta vetë të vjel

‑ është fjala e Zotit ‑

por në hardhia rrush nuk ka,

as në fiq, fiq nuk ka,

u janë vyshkur deri edhe gjethet!

Do t’u jap atyre që mbi ta shkelin.

14 ‑ “Përse ne rrimë me duar në ijë?

Në këmbë! Të hyjmë brenda në fortesa,

aty të vdesim,

pasi Zoti, Hyji ynë,

na dorëzoi në vdekje,

na dha të pimë ujët e helmuar,

pse mëkatuam kundër tij.

15 Prisnim paqen: por të mirë s’ka,

të na vijë dita e shërimit,

dhe ja, tmerri!”

16 Nga Dani hingëllima e kuajve të tij dëgjohet,

prej ushtimës së hingëllimës së

hamëshorëve të tij

tundet mbarë toka;

po vijnë

të përpijnë tokën me çka ka në të,

qytetin me banorët e tij!

17 ‑ Ja, po nisi kundër jush

shlliga të helmuara,

kundër të cilash s’ndihmon shortia,

do t’ju hanë

‑ është fjala e Zotit.

Vajtimi i profetit për shkak të urtisë

18 Gëzimi im m’u shndërrua në dhimbje,

ma mbuloi zemrën trishtimi!

19 Ja, dëgjoj britmat e vajtueshme

të bijës së popullit tim

që ushtojnë nga një tokë e largët:

“Vallë, thua Zoti s’është më në Sion?

Mbreti i tij s’është më në të?

‑ Pse me idhuj më ngacmojnë të zemërohem,

më fyejnë me asgjësitë e huaja?”

20 ‑ Kaloi korrja, iku vera,

e shpëtim për ne nuk ka!

21 Për shkak të ndrydhjes së popullit tim

jam i ndrydhur, i përvëluar,

krejtësisht më pushtoi habia.

22 Në Galaad thua më s’ka balsam?

S’ka atje thua asnjë mjek?

Pse atëherë nuk u përtha

vrraga e bijës së popullit tim?

23 Oh, kush ma shndërron kokën në gurrë,

sytë e mi currila lotësh

që të vajtoj unë ditë e natë

të vrarët e popullit tim!

Jeremia: 9. Prishja morale e popullit të Judesë

9

1 Oh, ta kisha në shkretëtirë

një bujtinë strehimi udhëtarësh!

Do ta lija popullin tim,

prej tyre do të ikja larg,

sepse të gjithë janë fëlligështarë,

turmë tradhtarësh.

2 Gjuha e tyre hark i ngrehur,

rrena, e jo e vërteta,

e pushtoi vendin anembanë.

Prej një të keqeje në tjetrën bien,

e mua s’më njohin,

‑ është fjala e Zotit.

3 Gjithkush t’i ruhet të afërmit të vet,

në vëllanë e vet kush besë të mos ketë,

se çdo vëlla bën pabesi,

çdo i afërm përhap shpifje.

4 Vëllai vëllanë e tradhton,

s’ia thotë të vërtetën;

e mësuan gjuhën të flasë gënjeshtra,

bëjnë të keqen, s’duan të kthehen.

5 Padrejtësi mbi padrejtësi,

dhelpëri mbi dhelpëri:

s’duan të më pranojnë,

‑ është fjala e Zotit.

6 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Ja, do t’i shkrij, në provë do t’i vë;

ç’mund të bëj tjetër

për të bi’në e popullit tim?

7 Sh’gjetë plaguese gjuha e tyre;

e në gojë fjala mashtruese:

me gojë mikut i uron paqe,

kurse fshehtas i vë pritën.

8 Të mos i ndëshkoj për punë të tilla,

‑ është fjala e Zotit ‑

mbi një popull siç është ky

a thua s’duhet të hakmerrem?”

Vajtim mbi Sionin

9 Do të vajtoj, do t’i qaj malet,

gjëmë e vaj mbi kullota të bjeshkëve,

që u dogjën e u bënë shkrumb!

Nëpër to s’kalon njeri,

blegërimë grigjash më s’dëgjohet.

Shpendët e qiellit e bagëtitë

të gjitha ikën, të gjitha u zhdukën!

10 Jerusalemin do ta shndërroj

në rrënojë gurësh, në strofull çakejsh;

të Judës qytetet në shkretëtirë

pse askush në to s’do të banojë!

11 Kush është i urtë këtë ta kuptojë?

Kujt t’ia zb’lojë goja e Zotit

që të lajmërojë kështu:

Përse vendi u shkretua,

është bërë shkrumb porsi shkretëtira

nëpër të cilën askush s’kalon?

12 Atëherë tha Zoti: “Është kështu pse e kanë lënë Ligjin tim, që ua kam dhënë, nuk e dëgjuan zërin tim dhe nuk ecën sipas tij, 13 por shkuan pas dashakeqësisë së zemrës së vet dhe ndoqën baalët, për të cilët i mësuan etërit e tyre.” 14 Prandaj, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: “Ja, unë do ta ushqej këtë popull me mendër dhe do t’i jap të pijë ujë të helmuar. 15 Do t’i shpërndaj ndër popuj që nuk i njohën as ata as etërit e tyre e do ta dërgoj shpatën pas tyre deri që t’u shuhet fara.”

16 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Kujdes! Thirrni vajtoret!

Le të vijnë!

Thirrni ato më të dijshmet!

Le të shpejtojnë!

17 Le të shpejtojnë,

le t’ia nisin mbi ne vajtimit:

që sytë tanë të derdhin lot,

ujë të rrjedhin qepallat tona!”

18 Po, nga Sioni jehon vajtimi:

“Heu, si u shkretuam, u mb’luam me turp!

U shtrënguam vendin ta lëmë,

t’i braktisim vatrat tona!”

19 Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit,

veshët tuaj ta ndiejnë mirë

fjalën që del prej gojës së tij.

Bijat tuaja të vajtojnë mësojini,

njëra-tjetrës këtë vajtim:

20 “Për dritaresh na hyri vdekja,

depërtoi në shtëpitë tona,

i kositi fëmijët n’për rrugë

e djelmoshat nëpër tregje.”

21 Thuaj! Kështu thotë Zoti:

“Kufoma njerëzish do të bien

porsi plehu përmbi ara,

porsi dujt pas korrtarit

e askush nuk i mbledh.”

Urtia e vërtetë

22 Kështu thotë Zoti:

“Mos të mburret i urti me mençuri të vet,

as trimi mos të mburret më trimërinë e vet,

as pasaniku mos të mburret me pasurinë e vet;

23 por kush mburret me këtë le të mburret:

se ka dije për të më njohur mua,

se jam Zoti që bën mirësi,

zbaton të drejtën e drejtësinë në tokë,

se këto janë gjërat që më pëlqejnë

‑ është fjala e Zotit.

Shpresë e kotë në rrethprerje

24 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do t’i ndëshkoj të gjithë ata që janë të rrethprerë në trup: 25 egjiptianët, judenjtë, edomët, bijtë e Amonit, moabët e të gjithë ata që i qethin tëmthat e kokës, që banojnë në shkretëtirë, sepse të gjithë këta janë të parrethprerë, kurse mbarë shtëpia e Izraelit janë të parrethprerë në zemër.

Jeremia: 10. Idhujt dhe Hyji i vërtetë

10

1 Dëgjojeni fjalën

që jua drejton Zoti juve,

o shtëpia e Izraelit:

2 Kështu thotë Zoti:

“Mos i bëni tuajat zakonet e paganëve,

frikë mos kini nga shenjat e qiellit,

sepse prej tyre tremben vetëm paganët,

3 sepse ritet e paganëve janë një asgjësi,

një dru që pritet në pyll,

vepër e dorës së mjeshtrit që e laton me sëpatë,

4 e stolis me argjend e me ar,

e forcon me gozhda e me çekiç

që të mos luajë vendit.

5 Janë si surrati që vihet në bostan

e që s’mund të flasë,

duhet të mbarten se të ecin nuk munden:

pra, frikë mos i kini

se s’mund të bëjnë as keq as mirë!”

6 Jo, s’janë si ti, o Zot,

sepse ti je i madhërueshëm,

i madh është pushteti i emrit tënd!

7 Kush ty të mos të të druajë, o mbreti i popujve?!

Vërtet kjo të takon ty,

sepse ndër të gjithë të dijshmit e popujve,

ndër mbarë mbretëritë e tyre,

asnjë s’mund të krahasohet me ty.

8 Njëkohësisht janë të pamend e të marrë,

mësimi i tyre i kotë ‑ dru e thjeshtë,

9 argjend i përpunuar që sillet nga Tarsisi

edhe ar prej Ofazit,

vepër mjeshtri dhe duarsh argjendari,

petkat e tyre pëlhure të kuqe e të purpurt:

të gjitha këto vepër e duarve të mjeshtrit!

10 Kurse Zoti është Hyj i vërtetë,

Ai është Hyj i gjallë, Mbret i amshueshëm;

kur ai zemërohet, tundet mbarë toka,

ballë s’mund t’i bëjnë popujt zemërimit të tij!

11 Ja, se çka duhet të thoni për ta: “Zotat që nuk e krijuan qiellin e tokën, le të zhduken nga faqja e dheut e nën qiell!”

12 Ai me fuqinë e vet i dha trajtë tokës,

me urtinë e vet të qëndrueshme e bëri botën,

me dijen e vet qiellin e shtriu.

13 Me zërin e vet bën të grumbullohen

ujëra të shumtë në qiell

dhe i ngrit retë nga skajet e tokës,

bën që vetëtimat të shpërthejnë në shi,

e nxjerr erën nga strofujt ku e ndryen.

14 Shtang mbetet çdo njeri, s’është në gjendje të kuptojë,

turpërohet çdo argjendar për truporen e vet,

sepse është e rreme ajo që ka shkrirë,

sepse në të frymë jete s’ka.

15 Janë një kotësi, vepra qesharake,

ditën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.

16 Jo, s’është e tillë “Pjesa e Jakobit”:

sepse Ai e ka trajtuar gjithësinë,

Izraeli është fisi i trashëgimit të tij,

emri i tij është Zoti i Ushtrive.

Tmerr në vend

17 Mblidh nga vendi plaçkat e tua,

ti që banon në rrethim,

18 sepse kështu thotë Zoti:

“Ja, larg do t’i flak kësaj herë

banorët e vendit

ngushtë do t’ua çoj

që të dinë të më gjejnë!”

19 I mjeri unë për varrën time,

për plagën time të pashërueshme!

E mua më thoshte mendja:

‘Është vetëm një dhimbje

që mund ta duroj!’

20 Tenda ime është shkatërruar,

janë copëtuar litarët e saj,

fëmijët më shkuan, më nuk janë,

s’ka kush as çadrën të ma ngrehë,

t’i shtrijë pëlhurat e saj!

21 Sepse marrëzisht vepruan barinjtë

të lumin Zot nuk e kërkuan,

prandaj punët nuk po u shkojnë mbarë,

të gjitha grigjat u shpërndanë.

22 Dëgjojeni lajmin! Ja, ç’po ndodh!

Poterë e madhe po na vjen nga toka e Veriut

qytetet e Judës për t’i shndërruar,

në shkretëtirë, strofull çakejsh!

Lutja e Jeremisë

23 E di, o Zot,

që s’është në dorë të njeriut udha e tij,

që s’është i zoti ai që ecën

që t’i drejtojë hapat e vet.

24 Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë,

jo me zemërim që të mos më zhdukësh!

25 Zbraze zemërimit tënd mbi popuj

që nuk të pranojnë

e mbi fise

që s’e thërrasin emrin tënd,

sepse gjallë e përpinë Jakobin,

e përlanë, krejtësisht e shqimën,

e shkretuan lagjen e tij.

Jeremia: 11. Jeremia e fjalët e Besëlidhjes

11

1 Prej anës së Zotit i qe drejtuar kjo fjalë Jeremisë: 2 “Dëgjojini fjalët e kësaj Besëlidhjeje e flitni me njerëzit e Judës e banorët e Jerusalemit. 3 Thuaju: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Qoftë mallkuar ai njeri që nuk i dëgjon fjalët e kësaj Besëlidhjeje, 4 që ua urdhërova etërve tuaj atë ditë, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga furra e shkrirjes së hekurit. Unë u thashë: Dëgjojeni zërin tim dhe vini në zbatim gjithçka që po ju urdhëroj e kështu ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj, 5 që të mund ta zbatoj përbetimin që ua bëra etërve tuaj se do t’u jap një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë ‑ që tashti është prona juaj.” Unë iu përgjigja e thashë: “Ashtu është, o Zot!” 6 E Zoti më tha: “Shpalli këto fjalë nëpër qytete të Judës e nëpër rrugë të Jerusalemit e thuaj: Dëgjojini fjalët e kësaj Besëlidhjeje e zbatojini ato. 7 Sepse rreptësisht i kam qortuar etërit tuaj atë ditë që i nxora nga toka e Egjiptit e deri më sot, vazhdimisht pa u lodhur i kam qortuar e u kam thënë: Dëgjojeni zërin tim! 8 Por ata nuk dëgjuan e nuk ma vunë veshin, por ndoqi secili ngurtësinë e zemrës së vet të keqe. Atëherë i vura në zbatim të gjitha fjalët e kësaj Besëlidhjeje kundër tyre, që ua pata urdhëruar ta zbatojnë e nuk e zbatuan”.

9 Pastaj Zoti më tha: “U besatuan mes tyre njerëzit e Judës e banorët e Jerusalemit: 10 u kthyen në paudhësitë e etërve të vet të mëparshëm, të cilët nuk deshën t’i dëgjojnë fjalët e mia. Kështu, pra, ata shkuan pas hyjnive të huaja që t’u shërbejnë: shtëpia e Izraelit e shtëpia e Judës e thyen Besëlidhjen time që e lidha me etërit e tyre. 11 Për këtë arsye Zoti thotë kështu: Ja, unë do t’u sjell një fatkeqësi, prej së cilës nuk do të mund të shpëtojnë; do ta kërkojnë ndihmën time, por s’do t’i dëgjoj. 12 Atëherë le të shkojnë qytetet e Judës dhe banorët e Jerusalemit dhe le t’u lëshojnë kushtrimin hyjnive, të cilave u bëjnë fli! Por s’do t’u japin farë ndihme në kohën e ngushticës së tyre.

13 Po se, aq të shumtë janë zotat e tu, o Judë, sa dhe qytetet e tua! Aq sa rrugë ka Jerusalemi, aq i ndërtuat lterë Kotësisë, lterë për t’i flijuar Baalit!

14 Ti, pra, ruaju se lutesh për këtë popull, dhe ruaju se ndërmerr ndonjë lutje a përlutje, sepse nuk do të të dëgjoj ditën e britmës së tyre drejt meje, në kohën e ngushticës së tyre.

Qortim atyre që shkojnë në Tempull

15 Ç’ka e dashura ime që në Shtëpinë time vjen për të plotësuar synimet e veta të zeza?

Vallë, a kushtet e mishrat e shenjta

do ta shlyejnë paudhësinë tënde

me të cilën guxon të mburresh?

16 Ulli gjithmonë i blertë, shtathedhur

e i bukur, me fruta të shkëlqyeshëm,

do ta quajë Zotynë.

Në zë të rropamës së madhe,

zjarrin në të e ndezi,

të djegur janë gemat e tij!

17 Zoti i Ushtrive, që të pati mbëltuar, ka caktuar kundër teje fatkeqësinë për shkak të të këqijave të shtëpisë së Izraelit e të shtëpisë së Judës që i bënë në dëm të vet për të më ngacmuar duke i flijuar Baalit.

Jeremia i përndjekur në Anatot

18 Por ti, o Zot, më tregove dhe unë mora vesh; atëherë m’i dëftove synimet e tyre. 19 Unë isha si qengji i butë që e çojnë për t’a prerë; nuk dija se ata kishin synime të mbrapshta kundër meje: “Ta presim drurin në fuqinë e saj tij të plotë, ta çrrënjosim nga toka e të gjallëve dhe emri i tij s’do të përmendet më.”

20 O Zoti i Ushtrive, gjykatës i drejtë,

që i shqyrton veshkat e zemrat,

bëj të shoh si hakmerresh,

sepse ty ta kam besuar çështjen time.

21 Prandaj kështu thotë Zoti kundër njerëzve të Anatotit, të cilët kërkojnë jetën tënde e thonë: “Mos profetizo në emër të Zotit, përndryshe do të vdesësh nga dora jonë!” 22 Prandaj, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ja, unë do t’i ndëshkoj! Të rinjtë e tyre do të vdesin prej shpatës, bijtë e bijat e tyre do të vdesin prej urisë. 23 Me ferrë do t’ua mbyll derën, sepse do të bëj një emnesë mbi anatotas në vitin e ndëshkimit të tyre.

Jeremia: 12. Lumturia e të këqijve

12

1 Pa dyshim, o Zot, ti je i drejtë

që unë të mund të rragas me ty.

Megjithatë, doja të të sjell një fjalë mbi drejtësinë.

Pse punët e të këqijve po përparojnë?

Pse të gjithë tradhtarët e keqbërësit janë mirë?

2 Ti i mbëltove e ata lëshuan rrënjë,

përparojnë e qesin fryt.

Ti je afër gojës së tyre

e larg nga zemra e tyre.

3 Por ti, o Zot, më njeh, më sheh,

ti e vërtetove se zemra ime është me ty.

ndaj veçmas ata porsi qengjat për thertore,

ruaji për ditën e prerjes!

4 Deri kur do të mbajë zi vendi

e do të thahet bari i mbarë fushës

për shkak të paudhësisë së banorëve të saj?

Sharruan bagëti e shpendë

pse ata thonë:

‘Nuk e sheh Ai të ardhmen tonë’.

5 Nëse në vrap lodhesh me këmbësorë,

si do të vihesh në vrapim me kuaj?

Kur as në vend paqeje s’je i sigurt,

ç’do të bësh në pyllin e dendur të Jordanit?

6 Deri edhe vëllezërit e tu

edhe shtëpia e babait tënd,

janë me zhibla kundrejt teje,

edhe ata të shajnë pas shpine me sa munden.

Mos u beso

kur të flasin fjalë të bukura!

Ankimi i Zotit mbi trashëgimin e shkretuar

7 E braktisa shtëpinë time,

e lashë trashëgimin tim,

më të dashurën e shpirtit tim

e dhashë në duar të armiqëve të saj.

8 Trashëgimi im u bë për mua

porsi luani në pyll;

ulëriti kundër meje

prandaj edhe m’u neverit.

9 Pse, a sorrë e larme është prona ime?

Shpendët përreth vallë, ta sulmojnë?

Ejani, bashkohuni,

të gjitha kafshët e pyllit,

nxitoni të përlugëtoni!

10 Barinj të shumtë e shkretuan vreshtin tim,

e shkelmuan pronën time,

pjesën time, atë më të dashurën,

e kanë kthyer në djerrishtë të shkretë!

11 Krejtësisht e shpartalluan,

vajton e mjeruar para meje!

I shkretuar është krejt vendi,

pse askush për të s’vret mendjen!

12 Mbi çdo lartësirë të shkretëtirës

ia arritën shkatërruesit,

shpata e Zotit po përpin

prej një skaji në skaj tjetër të vendit:

s’ka më paqe për askënd!

13 Mbollën drithë e korrën ferra,

u munduan e gjë s’prodhuan.

Turpërohuni për frytet tuaja

për shkak të zemërimit të Zotit.

Dënim dhe shpëtim për popujt fqinjë

14 Kështu thotë Zoti kundër të gjithë të afërmve të mi tejet të këqij që prekin pronën, të cilën ia ndava popullit tim, Izraelit: “Ja, unë do t’i çrrënjos ata nga toka e tyre si edhe shtëpinë e Judës do ta nxjerr nga mesi i tyre. 15 Por, kur t’i kem shkulur, atëherë do të kthehem kah ata e do t’i përdëllej: do t’i kthej ata secilin në trashëgimin e vet e secilin në vendin e vet. 16 E në qoftë se i mësojnë udhët e popullit tim kështu që të përbetohen në emër tim: ‘Pasha Zotin e gjallë!’, ashtu siç e mësuan popullin tim të përbetohet në Baalin, atëherë ata do të ngulin në mes të popullit tim. 17 Por, në qoftë se nuk dëgjojnë, do ta çrrënjos e do t’ia tres farën atij populli ‑ është fjala e Zotit.

Jeremia: 13. Brezi në Eufrat

13

1 Kështu më tha Zoti: “Shko e bleje një brez të lintë dhe ngjeshi me të ijët e tua, por mos e shtjer në ujë.” 2 Unë e bleva brezin si më tha Zoti dhe e ngjesha rreth ijëve të mia. 3 Së dyti më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 4 “Merre brezin që bleve, që e ke rreth belit tënd, çohu e shko në Eufrat dhe fshehe atje në një vrimë shkëmbi”. 5 Shkova dhe e fsheha te Eufrati siç më kishte urdhëruar Zotynë. 6 Pas shumë ditësh Zotynë më tha: “Ngrehu e shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova ta fshehësh atje”. 7 Shkova tek Eufrati, e hapa vrimën dhe e nxora brezin nga vendi, ku e kisha fshehur, dhe, ja, brezi ishte kalbur, kështu që s’vlente më për kurrgjë. 8 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 9 ”Kështu do të bëj të kalbet krenaria e madhe e Judës dhe e Jerusalemit. 10 Ky popull tejet i keq ‑ që s’duan t’i dëgjojnë fjalët e mia dhe jetojnë sipas zemërkeqësisë së tyre dhe shkuan pas zotave të huaj për t’u shërbyer e për t’i adhuruar ‑ do të jetë porsi ky brez që s’vlen më për kurrgjë. 11 Sepse, sikurse brezi që ngjeshet rreth ijëve të njeriut, kështu kam dashur që të ngjeshet rreth meje mbarë shtëpia e Izraelit e mbarë shtëpia e Judës ‑ është fjala e Zotit – që, populli im të jetë zëri im i mirë, lavdia ime, nderi im, por nuk dëgjuan!”

Katruvet e thyera të verës

12 “Prandaj thuaji këtij populli: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Çdo katruve mbushet me verë! E ata do të përgjigjen: Vallë, a nuk e dimë se çdo katruve mund të mbushet me verë? 13 Atëherë thuaju: Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t’i mbush me dehje të gjithë banorët e këtij vendi, mbretërit prej barkut të Davidit që rrinë mbi fronin e tij, priftërinjtë, profetët dhe të gjithë banorët e Jerusalemit 14 dhe do t’i thyej njërin për tjetrin, etërit së bashku me bijtë e tyre ‑ është fjala e Zotit ‑ s’do të kem dhembshuri, s’do t’i kursej e s’do të kem mëshirë, por do t’i zhduk!”

Kërcënim me shpërngulje

15 Dëgjoni, vini vesh, mos çoni kokë,

sepse po flet Zoti.

16 Jepini lavdi Zotit, Hyjit tuaj,

para se të erret,

para se këmba juaj të marrë në thua

në malet e errëta!

Ju pritni dritën,

por ai do ta shndërrojë në terr,

në terr të zi porsi futa!

17 Po, në qoftë se për këtë nuk do të më dëgjoni,

shpirti im do të qajë në fshehtësi

për shkak të krenarisë suaj;

thekshëm do të qajë

e lotë do të derdhin sytë e mi

sepse grigja e Zotit po humbasin në mërgim!

Kërcënime Joakinit

18 Thuaji mbretit e nënës mbretëreshë:

“Uluni rrafsh

se kurora e lavdisë

ra prej kokës suaj!

19 Të mbyllura janë qytetet e jugut

dhe s’është askush që t’i çelë;

mbarë Judën e shpërngulën,

e shpërngulën krejtësisht!”

Kërcënim Jerusalemit të pakthyeshëm

20 Lartësoji sytë e shikoji

ata që po vijnë nga Veriu.

Ku është grigja që t’u besua,

delet e lavdisë sate?

21 Çdo të thuash kur të të ndëshkojë?

Sepse ti vetë i joshe kundër vetes,

i bëre miq për kokë!

Vallë, a nuk do të të pushtojnë dhimbjet

porsi gruan kur lind fëmijën?

22 E nëse në mend të shkon të pyetësh:

“Pse po më ndodh e gjithë kjo?”

Për shkak të paudhësisë sate të madhe

t’i zbuluan fajet e tua

e të dhunuan.

23 Vallë, a mundet etiopasi të ndërrojë lëkurën,

ose leopardi larat e lëkurës së vet?

Atëherë edhe ju do të mund të bëni mirë,

ju që jeni mësuar të bëni të keqen.

24 Do t’i shpërndajë porsi bykun

që e humbet era e shkretëtirës.

25 Ky është shorti yt, pjesa e masës sate prej meje

‑ është fjala e Zotit ‑

pasi mua më ke harruar

dhe e e ke vënë shpresën në gënjeshtër.

26 Këndej edhe unë vetë

deri në fytyrë do të t’i çoj rrobat

që të shihet turpi yt,

27 kurorëthyerjet e tua e hingëllimet

lavirësinë tënde të turpshme!

Përmbi kodra e nëpër ara

i kam parë iritë e tua.

Vaj, për ty, o Jerusalem! Ende nuk u pastrove dot!

Po deri kur kështu...?

Jeremia: 14. Thatësira e madhe

14

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë me rastin e thatësirës së madhe.

2 Judeja u mbulua në zi,

qytetet e saj rënkojnë,

të mekura rrafsh ranë përdhe,

në qiell arrin e Jerusalemit vigma!

3 Bujarët çojnë vegjëlinë për ujë:

shkojnë ndër puse e ujë nuk gjejnë,

zbrazët i kthejnë shtambat e veta

duke rrahur kokën me grushta.

4 Anembanë toka shkretuar,

sepse shiu nuk bie mbi të,

mjeruar bujqit e ngratë

me grushta e rrahin kokën.

5 Deri shuta në mal e lë pjellën e vet,

pse fije bari s’ka.

6 Gomarët e egjër grumbull mblidhen në kodra,

dihasin porsi çakejtë,

as sytë dritë më nuk u bëjnë,

pse s’gjejnë dot një fije bari.

7 Kundër nesh nëse flasin të këqijat tona,

mëshirë, o Zot, pash Emrin tënd.

Po, të mëdha janë kryengritjet tona,

kundër teje ne mëkatuam!

8 Ti, o Shpresa e Izraelit,

Shpëtimtari i tij në kohë të vështirë,

pse qëndron si i huaj në këtë vend,

si shtegtari sa për të bujtur?

9 Pse sillesh porsi i hutuari,

si trimi që s’mund të ndihmojë?

E pra, mes nesh ti je, o Zot,

emri yt u thirr mbi ne,

deh, ti dore mos na lësho!

10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: “Atyre kështu u pëlqen të enden andej‑këndej, aspak nuk i kursejnë këmbët e veta! Këndej edhe Zotit nuk i pëlqejnë. Tashti i bien në mend fajet e tyre dhe i ndëshkon për mëkatet e tyre”.

11 Atëherë Zoti më tha: “Mos kërko mëshirë për këtë popull. 12 Po edhe sikur të agjëronin, s’do t’ua dëgjoja lutjen; po edhe në kushtofshin fli shkrumbimi dhe fli kushtimi, s’do t’ua pranoj. Unë do t’i shfaros me shpatë, me uri e me murtajë”.

13 Por unë iu përgjigja: “Ehu, o Zot Hyj! Ja, profetët u thonë: ‘Ju s’do të shihni shpatë, uri s’do të keni, por do t’u japë paqe të vërtetë në këtë vend’“.

14 Atëherë Zoti më tha: “Rrejshëm profetët profetizojnë në emër tim: unë nuk i dërgova as nuk i urdhërova, as nuk u kam folur. Ata ju parakallëzojnë vegime të rreme, shorti, dredhi e joshjet e zemrës së tyre. 15 Prandaj kështu thotë Zoti kundër profetëve, që profetizojnë në emër tim, të cilët unë nuk i dërgova, e thonë: ‘Shpatë e uri nuk do të ketë në këtë vend’: Shpata dhe uria do t’i shfarosë pikërisht këta profetë; 16 kurse njerëzit, të cilëve këta u profetizojnë, rrah do të bien nëpër rrugë të Jerusalemit prej urisë e prej shpatës e s’do ketë kush as t’i varrosë: as ata, as gratë e tyre, as bijtë e bijat e tyre. Do ta zbraz mbi ta të keqen e tyre.”

17 E ti thuaju këtë fjalë:

Le të derdhin lot sytë e mi

natë e ditë e të mos pushojnë,

sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh

virgjëra, bija e popllit tim,

me plagë të rëndë, të pashërueshme!

18 Nëse dal në fushë,

ja, të grirë prej shpatës,

e nëse hyj brenda në qytet,

kockë e lëkurë të bërë prej urisë:

profet e prift enden n’për vend

e më asgjë nuk marrin vesh.

19 ‑ Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën?

Po a aq fort t’u neverit Sioni?

Përse ne aq na godite,

sa të mos kemi shpresë shërimi?

Prisnim paqen, por të mirë s’ka,

kohë shërimi dhe, ja, tmerri!

20 E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë,

mbrapshtinë e etërve tanë:

po, mëkatuam kundër teje!

21 Mos na dëbo, pash Emrin tënd,

mos e turpëro fronin e lavdisë sate!

Të të bjerë ndër mend e mos e prish

Besëlidhjen tënde me ne!

22 Pse a ka ndër idhuj ndonjë që jep shi?

Pse vetë a qielli i jep shirat?

Pse a s’je ti, o Zot, Hyji ynë,

në të cilin ne shpresojmë?!

Ti je Ai që të gjitha këto i bën!

Jeremia: 15. Mjerimet e luftës

15

1 Zoti më tha: “Po të qëndronin edhe vetë Moisiu e Samueli përpara meje, zemra ime s’do të përkulej në të mirën e këtij populli! M’i flak larg syve të mi! Le të shkojnë!

2 Në qoftë se do të thonë: ‘Ku të shkojmë?’, thuaju: Kështu thotë Zoti:

Kush është për vdekje, në vdekje!

Kush është për shpatë, nën shpatë!

Kush është për uri, në uri!

Kush është për shpërngulje, në shpërngulje!

3 Unë do të çoj mbi ta katër lloje të këqijash ‑ është fjala e Zotit: shpatën për të prerë, qentë për të shqyer, shpendët e qiellit dhe egërsirat e malit për të përpirë e për të zhdukur. 4 Do të bëj mbi ta një shembull emnese për të gjitha mbretëritë e tokës për shkak të Manaseut, birit të Ezekisë, mbretit të Judës, për të gjitha të këqijat që bëri në Jerusalem.”

Mjerimet e luftës

5 Kush do të ketë dhimbje për ty, Jerusalem,

kush do të ta qajë hallin?

Kush do të shkojë

të pyesë për paqen tënde?

6 Ti mua më përbuze

‑ thotë Zoti ‑

shpinën ma solle;

unë e shtriva dorën mbi ty të të zhduk:

u lodha më duke të të përdëlluar!

7 Këndej edhe i flaka me terplote

nëpër qytetet e vendit;

e lashë pa fëmijë, e shova popullin tim:

sepse s’deshën të kthehen prej udhëve të veta!

8 Vejushat e tyre u bënë më të shumta

se rëra e detit.

Kundër nënës së tyre dërgova

ushtarin vrastar në pikë të ditës,

dërgova kundër saj papritmas

trazirë e tmerr.

9 E lëshoi zemra nënën e shtatë djemve,

i doli shpirti;

ende duke qenë ditë, perëndoi dielli:

i turpëruar e i poshtëruar.

Ç’mbet prej tyre, shpatës do t’ia jap

mu ndër sy të armiqve të tyre

‑ është fjala e Zotit.

Përsëritja e thirrjes

10 I mjeri unë, o nëna ime,

që më linde njeri grindjesh

e kundërshtimi për mbarë vendin!

Hua s’mora as nuk i dhashë kujt,

megjithatë, të gjithë më mallkojnë!

11 Vërtet, o Zot, a nuk të shërbeva për të mirë të tyre,

a s’ndërmjetësova te ti në kohë të ngushticës,

në kohë të mjerimit për armikun?

12 Pse a me hekur këputet

hekuri i Veriut e tuçi?

13 Pasurinë tënde e visaret e tua

i lë lirisht të plaçkiten,

për shkak të të gjitha fajeve të tua

brenda mbarë kufijve të tu.

14 Do të të bëj skllavin e armikut

në një vend që ti s’e njeh,

sepse flakë u ndez zemërimi im

e do të shpërthejë kundër jush.

15 Ti di, o Zot,

më kujto e më ndihmo,

hakmerru për mua mbi armiq.

Për shkak të durimit tënd,

mos lejo që unë të mbaroj,

dije se për shkak tëndin po më poshtërojnë!

16 Kur më erdhën fjalët e tua,

i përpija, fjala jote për mua u bë

gëzim e hare e zemrës sime,

sepse u quajta me emrin tënd,

o Zot, Hyji i Ushtrive.

17 Kurrë nuk ndenja për t’u kënaqur

në shoqërinë e ëndjetarëve,

por i nxitur prej dorës sate

rrija vetëm,

sepse më mbushe me zemërim.

18 Përse fund s’merr dhimbja ime

dhe plaga ime e pashërueshme

s’do të shërohet?

Për mua u bëre përrua gënjyes

me ujë në të cilin s’mund të kem shpresë.

19 Për këtë punë Zoti m’u përgjigj:

“Nëse ti kthehesh e me lejon të të kthej,

do të qëndrosh prapë para meje,

nëse e dallon të çmueshmen prej të ultës,

ti do të bëhesh goja ime.

Ata do të kthehen kah ti,

nuk ke nevojë të kthehesh kah ata.

20 Ty do të të bëj unë për këtë popull

mur të fortë prej tumbakut.

Do të luftojnë kundër teje,

por s’do të ngadhënjejnë,

sepse unë me ty do të jem

që të të shpëtoj e të të liroj

‑ është fjala e Zotit!

21‑ Do të të shpëtoj prej dorës së mëkatarëve,

do të të shpaguaj prej dorës së të dhunshmëve.

Jeremia: 16. Jeta e profetit si shenjë

16

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 ”Mos u marto e mos ki bij as bija në këtë vend. 3 Sepse kështu thotë Zoti për bij e bija, që lindin në këtë vend dhe për nënat që i lindin ata e për etërit e tyre, të cilëve do t’u lindin në këtë vend: 4 Do të vdesin me vdekje shumë të keqe, gjëmë s’do t’u bëhet as nuk do të varrosen; do të bëhen pleh për ara; do t’u tresë fara prej shpatës e prej urisë e kufomat e tyre do të jenë ushqim për shpendët e qiellit e bishat e malit”.

5 Sepse kështu thotë Zoti: “Mos hyr në shtëpitë ku shtrohen dreka, mos shko në salikime as mos merr pjesë në vajtime me ta, sepse unë e tërhoqa paqen time prej këtij populli ‑ është fjala e Zotit, ‑ dhimbjen dhe dhembshurinë. 6 Në këtë vend do të vdesin të mëdhenj e të vegjël, s’do të varrosen as s’do t’u bëhet gjëmë; askush për ta s’do të gërvishtet as nuk do të qethë flokët. 7 Atij që është në zi s’do t’ia ndajë kush bukën e ngushëllimit për të ndjerin e tij dhe s’do t’ia japë kush gotën e ngushëllimit në rastin e vdekjes së babait e të nënës së tij, për ta ngushëlluar. 8 Mos hyr në shtëpi ku bëhen drekat që të rrish me ta e të hash e të pish. 9 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të bëj të zhduken nga këtu, prej syve tuaj, në ditët tuaja brohoritjet e gëzimit e të haresë, zërin e dhëndrit e zërin e nuses!

10 Kur t’ia kesh lajmëruar këtij populli të gjitha këto fjalë e ata të thonë: ‘Përse Zoti ka urdhëruar gjithë këtë fatkeqësi të madhe? Cili është faji ynë e cili është mëkati ynë që e kemi bërë kundër Zotit, Hyjit tonë?’, 11 përgjigju: Sepse etërit tuaj më lanë mua ‑ është fjala e Zotit ‑ shkuan pas zotave të huaj, u shërbyen atyre, i adhuruan, mua më lanë e nuk e zbatuan Ligjin tim. 12 Por edhe ju punuat, madje edhe më zi se etërit tuaj: ja, secili prej jush ecën pas zemrës së vet të keqe për të mos më dëgjuar mua. 13 Unë do t’ju nxjerr nga ky vend në një vend të panjohur për ju ashtu si ishte e panjohur edhe për etërit tuaj. Atje do t’u shërbeni hyjnive të huaja ditë e natë: sepse më s’do të kem mëshirë për ju.

Kthimi i të shpërngulurve të Izraelit

14 Prandaj, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më ‘Pasha jetën e Zotit, që i nxori izraelitët prej Egjiptit’, 15 por: ‘Pasha jetën e Zotit, që i nxori izraelitët prej tokës së Veriut dhe nga të gjitha vendet, në të cilat i pata humbur!’ Unë do t’i kthej në tokën e tyre që ua dhurova etërve të tyre.

Lajmërim i pushtimit të armikut

16 Ja, ‑ thotë Zoti ‑ unë do të dërgoj një mori peshkatarësh që do t’i peshkojnë; pas tyre do të dërgoj një mori gjuetarësh, të cilët do t’i gjuajnë në çdo mal e kodër edhe plasa të qetave! 17 Sepse sytë e mi i përcjellin të gjitha shtigjet e tyre: para meje s’mbetet e fshehtë asnjë sjellje e tyre dhe fajësia e tyre s’mund të fshihet prej syve të mi. 18 Madje dyfish do t’i shpaguaj paudhësitë e mëkatet e tyre, sepse e përdhosën tokën time me qelbësirat e idhujve të tyre dhe me turpësitë e tyre e mbuluan pronën time.

Kthimi i paganëve

19 O Zot, forca ime e kështjella ime,

strehimi im në ditën e ngushticës!

Te ti do të vijnë paganët

nga skajet e tokës e do të thonë:

‘Etërit tanë vërtetë për pjesë

patën Gënjeshtrën, Kotësinë

që s’vlen asgjë!

20 Njeriu a mund t’krijojë zotat për vete?

Atëherë ata zota s’janë!

21 Ja, pra: dua t’i njoftoj,

kësaj here do t’ua dëftoj

dorën time e fuqinë time:

do ta kuptojnë se emri im është Zot.

Jeremia: 17. Gabimet e Judës në nderimin e Hyjit

17

1 Mëkati i Judës është gdhendur

me thumba hekuri

me majë diamanti

përmbi dërrasën e zemrës së tyre,

përmbi brirët e lterëve të tyre,

2 që bijtë e tyre t’i kujtojnë lterët e vet

banirët e vet përbri drurëve gjithëherë të njomë

në kodra të larta,

3 në male e në fushë të hapët.

Pasuritë e tua e të gjitha visaret

pre plaçkitjeje do t’i bëj,

lartësitë e tua për shkak të fajeve

të bëra në mbarë vendin tënd.

4 Do të heqësh dorë nga prona jote

që dhuruar ta pata vetë;

skllav do të të bëj të armiqve të tu

në një vend që nuk e njeh,

sepse i dhatë flakë zemërimit tim,

që do të djegë përgjithmonë.

Fjalë urtie

5 Kështu thotë Zoti:

Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson,

ai që mbështjetjen e vet e ka në njeriun

e zemra e tij largohet prej Zotit.

6 Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë:

nuk sheh kurrë asnjë të mirë,

i shkon ditët në thatësirën e shkretëtirës,

në tokë të kriposur, të pabanueshme.

7 Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin,

Zoti do të jetë shpresa e tij.

8 Ai do të jetë porsi druri

i mbëltuar në breg të ujit,

që kah përroi i lëshon rrënjët

e s’do të trembet kur të vijë zhegu:

gjethi i tij do të jetë i blertë.

Për vit thatësie nuk merakoset,

nuk pushon së dhëni fruta.

9 Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra,

e pashërueshme;

kush është ai që mund ta njohë?

10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat,

i jap secilit sipas sjelljes së tij,

sipas fryteve të veprave të tij.

11 Shkurtë që i kuan vezët që s’i bëri

është ai që pasurohet me të padrejtë.

Do ta lërë në gjysmën e jetës,

në ditë të fundit i marrë do të jetë.

Shpresa në Tempullin e në Hyjin

12 Fron i lavdishëm, i lartësuar që në fillim,

është Vendi ynë i shenjtë!

13 O Zot, shpresa e Izraelit,

të gjithë ata që të lënë do të turpërohen,

pse e lanë Burimin e ujit të gjallë, Zotin.

Në pluhur do të shkruhen

ata që nga ti largohen.

Lutje hakmarrëse

14 Më shëro, o Zot, e do të shërohem,

më shpëto, o Zot, e do të shpëtoj,

sepse ti je lavdi im!

15 Ja, ata mua më thonë:

‘Ku është fjala e Zotit?

Le të përmbushet!’

16 Kurrë s’t’u vura që të sjellësh të keqen,

s’e dëshiroja ditën e tmerrshme,

Ti e di: çka prej buzëve të mia doli

ishte e drejtë para Teje.

17 Deh, mos më ji shkak tmerrimi,

ti streha ime, në Ditën e ngushticës!

18 Le të turpërohen armiqtë e mi,

e jo unë;

le të tremben ata e jo unë;

Sille mbi ta Ditën e tmerrit,

zhduki me zhdukje të dyfishtë!

Mbajtja e të shtunës

19 Kështu më ka thënë Zoti: “Shko e qëndro te dera e Bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë e dalin mbretërit e Judës edhe në të gjitha dyert e Jerusalemit. 20 Thuaju: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretërit e Judës e mbarë Juda edhe të gjithë banorët e Jerusalemit, që hyni nëpër këto dyer. 21 Kështu thotë Zoti: Ruajeni veten e mos mbani barrë në ditë të shtunë as mos i shtini nëpër dyer të Jerusalemit. 22 Mos mbartni barrë nga shtëpitë tuaja në ditë të shtunë as mos bëni asnjë punë: shenjtërojeni ditën e shtunë, siç u kam urdhëruar etërve tuaj. 23 Por ata nuk dëgjuan as nuk më vunë vesh, por e ngurën zverkun e vet për të më mos dëgjuar e për të mos e pranuar mësimin. 24 Nëse vërtet do të më dëgjoni ‑ është fjala e Zotit ‑ nëse nuk do të shtieni barrë nëpër dyer të këtij qyteti ditën e shtunë, në qoftë se do ta shenjtëroni ditën e shtunë, duke mos punuar asnjë punë, 25 nëpër dyer të këtij qyteti do të hyjnë ‑ bashkë me ministrat e vet ‑ mbretërit që rrinë në fronin e Davidit, në karroca e në kuaj, ata dhe princat e tyre, judenjtë e banorët e Jerusalemit; ky qytet do të banohet për amshim. 26 Do të vijnë prej qyteteve të Judës, nga rrethi i Jerusalemit, nga toka e Beniaminit, nga Sefela e nga malësitë dhe nga Nagebi e do të sjellin fli shkrumbimi, therore, fli kushtimi, kem dhe do të kushtojnë fli falënderimi në Shtëpinë e Zotit. 27 Por, në qoftë se nuk do të më dëgjoni ta shenjtëroni ditën e shtunë e të mos mbartni barrë e të mos i shtieni nëpër dyer të Jerusalemit ditën e shtunë, atëherë zjarrin do ta ndez në dyert e tij: zjarri do t’i përpijë pallatet e Jerusalemit e më nuk do të fiket.

Jeremia: 18. Jeremia te poçari

18

1 Kjo fjalë i qe drejtuar prej Zotit Jeremisë: 2 “Çohu e zbrit në shtëpi të poçarit dhe aty do t’i dëgjosh fjalët e mia!” 3 Unë zbrita në shtëpinë e poçarit dhe, ja, ai po punonte në çarkun e vet. 4 Dhe iu prish ena që ai po e punonte prej balte me duart e veta, por përsëri me atë deltinë, punoi një enë tjetër, siç i pëlqente atij të bëjë. 5 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha: 6 “Pse a nuk mund të sillem me ju si ky vorbar, o shtëpia e Izraelit? ‑ tha Zoti. Ja, ju jeni në duart e mia, o shtëpia e Izraelit, si deltina në dorën e vegsharit! 7 Unë aty për aty caktoj kundër ndonjë populli ose mbretërie se do ta çrrënjos, do ta zhduk, do ta shuaj; 8 por, nëse ai popull kthehet prej asaj paudhësie, për shkak të së cilës kam folur kundër tij, atëherë edhe vetë do të pendohem për të keqen që kisha vendosur t’ia çoj. 9 Një herë tjetër them, në lidhje me një popull ose mbretëri, se do ta ndërtoj e do ta mbëltoj; 10 por, nëse bën të keqen ndër sytë e mi për të mos e dëgjuar zërin tim, do të pendohem për të mirën që pata vendosur t’ia bëj. 11 Prandaj, thuaju judenjve e banorëve të Jerusalemit: Kështu thotë Zoti: Unë, ja, përgatis kundër jush një të keqe dhe sendërtoj kundër jush një plan. Më mirë t’i largohet secili udhës së vet të keqe e përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja!” 12 Por ata do të thonë: “Kot! Ne duam të ndjekim mendimet tona e secili do të bëjmë sipas keqësisë së zemrës së vet të prishur!’“

Izraeli e harron Zotin

13 Ja, pra, pse Zoti thotë kështu:

“Pyetni paganët:

kush dëgjoi punë kaq të poshtra

siç i bëri virgjëra e Izraelit?

14 A thua mungon bora e Libanit

mbi qetën që zotëron fushën?

A shteren ndoshta ujërat e freskëta,

që shpërthejnë e rrjedhin të cemta?

15 E pra, populli im më harroi,

ai idhujve u flijoi,

morën në thua udhëve të veta,

nëpër shtigjet e dikurshme,

ecin shtigjeve të parrahura,

udhës së parrafshuar,

16 për ta kthyer vendin në shkretëtirë,

të përmendet për të zi gjithherë:

secili që ta përshkojë

shtang do të mbesë, kokën do të tundë!

17 Si murrlani do t’i zvarris

po ndër sy të armiqve të tyre.

Do t’u sjell shpinën e jo faqen

ditën e shfarosjes së tyre!”

Me rastin e një atentati kundër Jeremisë

18 Ata thanë: “Ejani të bëjmë përbetim kundër Jeremisë! Sepse Ligji nuk do t’i mungojë priftit, as këshilla të urtit, as fjala profetit! Ejani ta godasim me gjuhë të tij e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij”.

19 Më vështro, o Zot,

e dëgjo se ç’thonë kundërshtarët e mi!

20 Vallë, a me të keqe shpërblehet e mira?

E ata po më hapin gropën!

Kujto se si rrija para teje

për të folur për të mirën e tyre,

për ta hedhur larg tyre zemërimit tënd.

21 Çoje, prandaj mbi fëmijët e tyre urinë,

e hidhi ata në tehun e shpatës!

Të veja e pa fëmijë le t’u mbesin gratë,

vdekja le t’i marrë burrat e tyre!

Të rinjtë le t’ua therë shpata në luftë!

22 Le të dëgjohen britma prej shtëpive të tyre

kur mbi ta papritmas t’i lëshosh cubat,

sepse për të më zënë ata gropën hapën,

dhe këmbëve të mia u ngrehën leq.

23 Ti, o Zot, i di sendërgjimet e tyre

për vdekje kundër meje:

mos e fal fajësinë e tyre,

para teje të mos shlyhet mëkati i tyre!

Rrafsh për tokë le të bien para teje,

ditën kur të të pushtojë zemërimi, vepro kundër tyre!

Jeremia: 19. Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin

19

1 Kështu thotë Zoti: “Shko e bleje një katrovë argjile, merri disa vetë nga pleqtë e popullit e pleqtë e priftërinjve 2 dhe shko në luginën Benenom, që është në hyrje të Derës së poçarëve. Atje shpalli fjalët që unë do të t’i them. 3 Thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë vend një mjerim të tillë, saqë kushdo të dëgjojë për të, veshët do t’i ushtojnë. 4 Sepse ata më kanë braktisur dhe e tëhuajën këtë vend duke u kushtuar zotave të huaj, të cilët nuk i kanë njohur ata vetë as etërit e tyre as mbretërit e Judës. E kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajshëmve. 5 Ndërtuan lartësira për nder të Baalit për t’i djegur si fli shkrumbimi në nder të Baalit fëmijët e vet: çka unë kurrë nuk e kam urdhëruar, as s’e kam thënë as nuk më ka shkuar nëpër mend. 6 Për këtë arsye, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe ky vend nuk do të quhet më Tofet as Lugina Benenom, por Lugina e Vrasjes. 7 Unë do ta çoj kotsynimin e Judës e të Jerusalemit në këtë vend. Do t’i bëj të sharrojnë prej shpatës ndër sy të armiqve të tyre me dorën e atyre që ua kërkojnë jetën. Kufomat e tyre do t’ua jap për ushqim shpendëve të qiellit e bishave të malit. 8 Do ta kthej këtë qytet në shkretëtirë e në tallje, kushdo të kalojë nëpër të do të mbetet shtang nga habia e do të fërshëllejë mbi të gjitha plagët e tij. 9 Do t’i bëj të hanë mishin e bijve e të bijave të veta. Njëri‑tjetrin do ta hanë gjatë rrethimit e ngushticës, në të cilën do t’i mbyllin armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t’ua marrin jetën.

10 Atëherë thyeje katrovën në sytë e atyre burrave që do të vijnë me ty 11 e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kështu do ta thyej këtë popull e këtë qytet, siç po thyhet ena e poçarit që më s’mund të ndreqet. Asohere edhe në Tofet do të varrosen, sepse s’do të ketë tjetër vend për të varrosur. 12 Kështu do t’i bëj këtij vendi ‑ thotë Zoti ‑ dhe banorëve të tij. Këtë qytet do ta bëj të ngjashëm me Tofetin: 13 Shtëpitë e Jerusalemit e shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastërta porsi Tofeti: të gjitha shtëpitë, mbi pullazet e të cilave iu kushtua kem mbarë ushtrisë qiellore dhe u njomën fli njomjeje hyjnive të huaja”.

14 Kur Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti të profetizojë, zuri vend në tremen e Shtëpisë së Zotit dhe i tha mbarë popullit: 15 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë qytet e mbi qytezat e tij të gjitha të këqijat, me të cilat i jam kërcënuar, sepse ngurën zverkun e vet e nuk i dëgjuan fjalët e mia”.

Jeremia: 20. Pjesë nga “Rrëfimet” e Jeremisë

20

1 Prifti Fasur, biri i Emerit, mbikëqyrësi prijës në Shtëpinë e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke i profetizuar këto fjalë. 2 Fasuri e rrahu Jereminë profet dhe e vuri në pranga, që gjenden te Dera e lartë e Beniaminit në Shtëpinë e Zotit. 3 Të nesërmen, kur zbardhi drita, Fasuri e liroi Jereminë nga prangat, atëherë Jeremia i tha: “Jo më Fasur Zoti nuk e quan emrin tënd, por “Tmerr në çdo anë!” 4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë po të të dorëzoj tmerrit, ty e të gjithë miqtë e tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre dhe ti do t’i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta lëshoj në duart e mbretit të Babilonit. Ai do t’i shpërngulë në Babilon dhe do t’i godasë me shpatë. 5 Do ta jap mbarë pasurinë e këtij qyteti, tërë çka u fitua me mund, gjithçka ka të çmueshme edhe të gjitha visaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre, të cilët do t’i rrëmbejnë, do t’i marrin e do t’i tresin në Babilon. 6 Kurse ty Fasur, me të gjithë anëtarët e familjes, do të ye shpërngulin. Në Babilon do të shkosh, atje do të vdesësh dhe atje do të varrosesh, ti e të gjithë miqtë e tu, të cilëve u profetizove gënjeshtrën”.

Pjesë nga “Rrëfimet” e Jeremisë

7 Më ngashënjeve, o Zot,

dhe unë lejova të ngashënjehem,

qe më i fortë se unë

dhe më mbizotërove.

U bëra gazi i ditës,

të gjithë më përqeshin.

8 Sa herë që më duhet ta shpall fjalën,

më duhet të lëshoj kushtrimin,

të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!”

Fjala e Zotit u bë për mua

poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

9 Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të,

në emër të Tij më nuk do të flas!

Atëherë në zemrën time u ndez

një zjarr i furishëm,

u ndrye në eshtrat e mi:

u mundova ta mposht,

por s’munda!

10 I dëgjoja shpifjet e shumëve,

tmerr gjithkund përreth:

‘Paditeni! Le ta padisim!’

Të gjithë dashamirësit e mi

vërenin rënien time:

‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet!

Do të ngadhënjejmë mbi të,

atëherë do të hakmerremi!’

11 Por me mua është Zoti si trimi i trimave,

prandaj ata që më përndjekin,

do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë:

turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit,

turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!

12 O Zoti i Ushtrive,

ti, o sprovuesi i të drejtit,

që ia sheh veshka e zemër,

bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta,

sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!

13 Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin,

që e çliroi shpirtin e të varfërit

nga dora e keqbërësve.

14 Qoftë mallkuar dita kur unë linda;

dita kur më lindi nëna ime

jo, mos qoftë bekuar!

15 Qoftë mallkuar ai burrë

që e lajmëroi tim atë:

‘Je bërë me djalë!’

dhe e mbushi me gëzim!’

16 U bëftë ai njeri porsi qytetet,

që Zoti i shkatërroi

e askurrë s’u pendua.

Në mëngjes ndjeftë kushtrimin

e në mesditë rropamën e luftës,

17 që s’më shitoi në barkun e nënës!

Nëna ime do të më bëhej varr

e barku i saj, shtatzënë përgjithmonë.

18 Pse ndopak dola nga barku amnor?

Që të heq keq e të vuaj

e në turp të marrin fund ditët e mia!

Jeremia: 21. Përgjigjja të dërguarve të Sedecisë

21

1 Fjala që Zoti ia drejtoi Jeremisë, kur mbreti Sedeci i dërgoi tek ai Fasurin, birin e Malkisë, e priftin Sofoni, birin e Maasisë, me këto fjalë: 2 “Pyete për ne Zotin, sepse Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, po lufton kundër nesh; se ndoshta Zoti bën në të mirën tonë ndonjë nga mrekullitë e shumta të tij, kështu që Nabukodonozori të largohet prej nesh.” 3 Jeremia u përgjigj: “Kështu thuajini Sedecisë: 4 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ja, unë do t’i kthej armët e luftës, që i keni në duart tuaja e me të cilat po luftoni kundër mbretit të Babilonit e kaldenjve që po ju mbajnë në rrethim përjashta muresh; unë do t’i bashkoj në mes të këtij qyteti. 5 Unë vetë do të luftoj kundër jush me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, zemërim e me hidhërim të madh 6 dhe do t’i godas banorët e këtij qyteti ‑ njerëz e kafshë: me murtajë të tmerrshme. Ata do të vdesin! 7 E pastaj ‑ është fjala e Zotit ‑ unë do ta dorëzoj Sedecinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin e tij, që të kenë shpëtuar në këtë qytet nga murtaja, shpata e uria, në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në duar të armiqve të tyre që e kërkojnë jetën e tyre; ai do t’i godasë me teh të shpatës. S’do të ketë mëshirë, s’do të falë as s’do të ketë mëshirë!

8 E këtij populli thuaji: Kështu thotë Zoti: Ja, para jush po e vë udhën e jetës e udhën e vdekjes: 9 kush të qëndrojë në këtë qytet do të vdesë prej shpatës, urisë e murtajës; kurse ai që të dalë e të shkojë te kaldenjtë, që ju rrethojnë, do të jetojë, do ta mbajë veten për të lum se së paku e ka shpëtuar jetën. 10 Sepse e kam sjellë fytyrën time mbi këtë qytet për të keqen e tij e jo për të mirën ‑ është fjala e Zotit: unë do ta dorëzoj në duar të mbretit të Babilonit e ai do ta djegë”.

Kundër shtëpisë mbretërore

11 Shtëpisë mbretërore të Judës:

Dëgjojeni fjalën e Zotit,

12 shtëpia e Davidit! Kështu thotë Zoti:

Gjykoni me drejtësi për çdo mëngjes

e çlirojeni të ndrydhurin nga shfrytëzuesi,

përndryshe do të shpërthejë si zjarr zemërimi im,

flakë do të marrë e askush s’mund ta ndalë,

për shkak të fajësisë së veprave tuaja.

13 Ah, pritëm, banuesja e luginës,

qeta e rrafshit ‑ është fjala e Zotit ‑

ju që thoni: ‘Kush do të na pushtojë?

Kush guxon të hyjë në shtëpitë tona?’

14 Do t’ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja

‑ është fjala e Zotit ‑

Në pyll të saj zjarr do të ndez:

rreth e përqark gjithçka do të digjet!

Jeremia: 22. Profeci kundër mbretërve të ndryshëm

22

1 Kështu flet Zoti: “Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe shpalle aty këtë fjalë 2 e thuaj: Dëgjoje fjalën e Zotit, mbreti i Judës, që rri mbi fronin e Davidit, ti e shërbëtorët e tu e populli yt, që hyni nëpër këtë derë. 3 Kështu thotë Zoti: Zbatojeni të drejtën e drejtësinë; shpëtojeni të ndrydhurin nga dora e shfrytëzuesit; mos e merrni me të keq ardhacakun, bonjakun e të vejën. Mos ndrydhni me padrejtësi e mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend. 4 Sepse, në qoftë se vërtet do të kujdeseni ta zbatoni këtë fjalë, atëherë nëpër dyer të këtij pallati do të hyjnë mbretërit që rrinë në fronin e Davidit, të farës së Davidit, hipur në karroca e mbi kuaj, ata e shërbëtorët e populli i tyre. 5 Por, në qoftë se nuk do t’i dëgjoni këto fjalë, kam bërë be në kokën time ‑ është fjala e Zotit ‑ ky pallat do të bëhet rrënojë e shkretë!

6 Po, kështu thotë Zoti

për pallatin e mbretit të Judës:

Për mua ishte Galaadi,

porsi kreshta e Libanit,

porse vetë do të të kthej patjetër në shkretëtirë,

në qytet të pabanueshëm.

7 Po e shuguroj vetë kundër teje

vrastarin e armët e tij,

cedrat e tu të zgjedhur t’i presin,

në zjarr t’i hedhin!

8 Kur të kalojnë paganët me shumicë në heshtje nëpër këtë qytet, secili do ta pyesë të afërmin e vet: ‘Pse ia bëri kështu Zoti këtij qyteti të madh?’, 9 do të përgjigjen: ‘Sepse e kishin lënë Besëlidhjen e Zotit, Hyjit të vet, adhuruan hyjni të huaja dhe atyre u shërbyen. ’“

Profeci kundër mbretërve të ndryshëm:

Kundër Joakazit

10 Mos e qani të vdekurin,

as gjëmë mbi të mos bëni!

Qajeni me mallëngjim atë që u nis,

sepse më s’do të kthehet,

vendlindjen kurrë më s’do ta shohë!

11 Sepse kështu thotë Zoti lidhur me Salumin, birin e Jozisë, mbretin e Judës, që u bë mbret në vend të Jozisë, babait të vet: “Ai që doli nga ky vend, këtu më nuk do të kthehet, 12 por do të vdesë në atë vend ku do ta çojnë rob e këtë vend kurrë më s’do ta shohë.”

Kundër Joakimit

13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë me padrejtësi,

e dhomat e larta i ndërton me të padrejtë,

që e shtyn të punojë pa rrogë të afërmin e vet

e s’ia jep atij pagën e duhur;

14 për atë që thotë: ‘Shtëpi të madhe do të ndërtoj,

me dhoma të gjera lart’,

që për vete hap dritare

e i vesh me rrathë prej cedri

dhe i ngjyros të kuqe!

15 Pse a do të mbretërosh

vetëm pse mburresh me cedra?

Pse a s’hëngri e s’piu yt atë?

Por ai zbatonte drejtësinë e të drejtën.

Prandaj gjithçka i shkonte mbarë.

16 Mbronte çështjen e skamnorit e të të mjerit,

prandaj gjithçka i shkonte mbarë!

‘Pse a s’do të thotë kjo të më njohësh mua?’

‑ është fjala e Zotit.

17 Sytë e tu e zemra jote

s’kërkojnë tjetër, veç dobinë tënde,

të derdhësh gjakun e të pafajshëmve

të bësh shpifje e të bësh dhunë.

18 Për këtë arsye Zoti thotë kështu për Joakimin, birin e Jozisë, mbretin e Judës:

“Gjëmë atij nuk do t’i bëjnë:

‘I mjeri unë për ty, o vëlla!

I mjeri unë për ty, o motër!’

Për të në vaj nuk do t’i thuhet:

‘I mjeri unë për ty, Zotëri!

I mjeri unë për ty, Lartmadhëri!’

19 Do të varroset si gomari,

i hequr zvarrë e larg i flakur

jashtë dyerve të Jerusalemit. ’“

Kundër Joakinit

20 Hip në Liban edhe bërtit,

dil në Basan edhe gërthit,

bërtit të madhe mbi Abarim,

u zhdukën të gjithë dashamirësit ‘tu!

21 Të pata thënë kur ishe mirë,

por ti m’u përgjigje: “S’do të dëgjoj!”

Që i ri këtë sjellje pate,

s’e dëgjove zërin tim.

22 Kullotë për erë do të jenë barinjtë e tu,

robër do të shkojnë dashamirësit tu,

atëherë do të skuqesh e do të turpërohesh

për shkak të gjithë paudhësisë sate.

23 Ti që fronin e ke në Liban,

që ngreh çerdhen lart ndër cedra,

oh sa rreptë do të gjëmosh

kur të të vijnë dhimbjet,

porsi dhimbjet e asaj që lind!

24 “Për jetën time ‑ thotë Zoti ‑ po edhe sikur të ishte Konia, biri i Joakimit, mbreti i Judës, unazë në dorën e djathtë timen, do ta hiqja prej andej! 25 Do të të jap në dorën e atyre që e kërkojnë jetën tënde, në dorën e atyre që të bëjnë të dridhesh para fytyrës së tyre, në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, e në duar të kaldenjve. 26 E do të të hedh, ty e nënën tënde që të lindi, në një vend të huaj, ku nuk keni lindur, dhe atje do të vdisni. 27 E në tokën ku dëshirojnë të kthehen, atje më s’do të kthehen.”

28 Enë thua e përbuzur, e thyer

është ky burri, Konia?

Një enë që askush s’e do?

Pse pra, qenë humbur,

ai e fara e tij,

hedhur në një vend

që s’e kanë njohur?

29 Tokë! O tokë, o tokë,

dëgjoje fjalën e Zotit!

30 Kështu thotë Zotynë:

“Shënojeni këtë njeri: ‘Barkshuar!

Njeri të pasukses në jetë!’

Sepse prej farës së tij

s’do të dalë asnjë burrë

që të ulet mbi fronin e Davidit

e të ketë farë pushteti më në Judë!”

Jeremia: 23. Profeci mesianike.

23

1 “Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime” ‑ thotë Zoti. 2 Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e humbët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! ‑ është fjala e Zotit! 3 Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. 4 Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë ‑ është fjala e Zotit.

5 “Ja, po vijnë ditët

‑ është fjala e Zotit ‑

kur do t’ia ngre Davidit pinjollin e drejtë;

që do të mbretërojë si mbret i vërtetë

dhe do të jetë i urtë

e do të ushtrojë në vend

të drejtën e drejtësinë.

6 Ndër ato ditë Juda do shpëtojë

e Izraeli do të jetojë në paqe.

Ja emri me të cilin do ta quajnë:

“Zotynë ‑ drejtësia ‑ jonë”!

7 Prandaj, ja po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin e gjallë, që i nxori bijtë e Izraelit nga toka e Egjiptit!”, 8 por: “Pasha Zotin e gjallë, që e nxori dhe e solli farën e shtëpisë së Izraelit nga toka e Veriut dhe nga të gjitha vendet”, ku i kisha flakur; dhe do të banojnë në vendin e vet.”

Kundër profetëve të rrejshëm

9 Kundër profetëve.

Copë m’u bë në parzëm zemra,

trishtim më morën të gjitha gjymtyrët;

i përngjaj njeriut të dehur,

si njeriu që e trudhos vera,

për shkak të Zotit,

për shkak të fjalëve të tij të shenjta.

10 “U mbush vendi me të pabesë,

për shkak të mallkimit në zi u vesh vendi,

shkrumb u bënë kullotat në shkretëtirë.

Vrap lëshohen për të bërë të keqen,

zotësia e tyre ‑ padrejtësia!

11 Të paudhë janë profet e prift:

der’ në Shtëpi time ua gjej keqësinë

‑ është fjala e Zotit.

12 Këndej udha e tyre do të jetë rrëshqitëse,

në errësirë do të ndeshen e do të rrëzohen.

Madje unë do të sjell mbi ta fatkeqësinë,

vitin e ndëshkimit të tyre

‑ është fjala e Zotit.

13 Ndër profetët e Samarisë

kam parë marrëzi të mëdha:

profetizojnë në emër të Baalit

dhe e ngashënjejnë popullin tim, Izraelin.

14 Ndër profetët e Jerusalemit

pashë turpësi të mëdha:

bëjnë pabesi e jetojnë në gënjeshtër;

keqbërësve ua ngjesin dorën

që askush të mos kthehet

nga jeta e vet e mbrapshtë:

të gjithë u bënë për mua porsi Sodoma,

banorët e tij porsi Gomorra!”

15 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive

kundër profetëve:

“Ja, me mendër do t’i ushqej,

do t’u jap të pijnë ujë me vrer,

sepse prej profetëve të Jerusalemit

u shpërnda nëpër mbarë vendin

papastërtia.”

16 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Mos i dëgjoni fjalët e profetëve

që ju profetizojnë e ju rrejnë;

ju tregojnë vegimet e zemrës së tyre

e jo çka vjen nga goja e Zotit.

17 U flasin atyre që mua më përbuzin:

‘Zoti ka thënë: S’do t’ju mungojë paqja!’;

dhe të gjithëve që ndjekin zemrën e keqe të vetën

u thanë: ‘Asnjë e keqe s’do të vijë mbi ju!’

18 Por kush mori pjesë në këshillin e Zotit, e pa dhe e dëgjoi fjalën e tij? Kush ia vë veshin fjalës së tij? Kush e dëgjon?

19 Ja, furtuna e Zotit,

dheun mori zemërimi i tij,

stuhia shpërthyese sulet

përmbi koka të të patenzonëve.

20 S’do të pushojë zemërimi i Zotit

der’ t’i ketë kryer,

t’i ketë çuar në vend synimet e veta:

qartë në të ardhmen do ta kuptoni!

21 S’i dërgova unë këta profetë

e ata vrapojnë!

Unë atyre nuk u fola

e ata profetizojnë!

22 Të kishin marrë pjesë në këshillin tim,

ia kishin kumtuar fjalët e mia popullit,

e kishin kthyer prej udhës së tyre të keqe

e prej veprave të tyre të patenzona.

23 A kujton se unë jam Hyj vetëm nga afër

‑ është fjala e Zotit ‑

e prej së largu më s’jam Hyj?

24 A mund të fshihet kush në ndo’j skutë,

ku unë atë nuk mund ta shoh?

‑ është fjala e Zotit.

Vallë, s’i mbushkam unë qiell e tokë?!

‑ është fjala e Zotit!

25 Kam dëgjuar çka thonë profetët që profetizojnë në emër tim rrena. Ata thonë: ‘Ëndërrova! Ëndërrova!’. 26 Deri kur do ta kenë këtë mendim në zemër profetët që profetizojnë gënjeshtrën dhe shpallin poshtërsitë e zemrës së vet. 27 Ata synojnë që, me ëndrrat e veta që ia tregojnë njëri‑tjetrit, të bëjnë që populli im ta harrojë Emrin tim, sikurse edhe etërit e tyre e harruan Emrin tim për shkak të Baalit. 28 Profeti që ka parë ëndërr, le ta tregojë ëndrrën, kurse ai që e ka fjalën time, le ta kumtojë fjalën time besnikërisht!

Ç’kanë të përbashkët byku e gruri?

‑ është fjala e Zotit.

29 A s’janë zjarr, vallë, fjalët e mia,

‑ është fjala e Zotit ‑

a s’janë maj që thërmon shkëmbin?

30 Prandaj, ja, jam kundër profetëve ‑ është fjala e Zotit ‑ që ia vjedhin njëri‑tjetrit fjalët e mia! 31 Ja, unë jam kundër profetëve ‑ është fjala e Zotit ‑ që e stërhollojnë gjuhën e vet e thonë: ‘Thotë Zoti’. 32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme ‑ është fjala e Zotit ‑ që i tregojnë ato e gënjejnë popullin tim me gënjeshtrat e veta e me mendjemadhësinë e vet. E unë as nuk i kam dërguar as nuk i kam urdhëruar e nuk i sjellin kurrfarë dobie këtij populli ‑ është fjala e Zotit.

33 E në qoftë se të pyet ky popull, qoftë një profet qoftë një prift, e të thotë: ‘Cila është barra e Zotit?’, ti përgjigju: ‘Ju jeni barrë, por unë do t’ju flak ‑ thotë Zoti.’

34 E nëse thotë profeti, prifti ose ndokush prej popullit: ‘Barrë e Zotit’, do ta ndëshkoj njeriun e tillë, atë dhe shtëpinë e tij. 35 Ja, si duhet të thoni me vete ‑ njëri‑tjetrit, të afërmit e vëllait: ‘Çfarë u përgjigj Zoti?’ dhe ‘Ç’ka thënë Zoti?’. 36 Por, mos e përdorni më shprehjen: ‘Barra e Zotit’, sepse barrë do t’i bëhet secilit fjala e tij, pse e shtrembëroni fjalën e Hyjit të gjallë, Zotit të Ushtrive, Hyjit tonë. 37 Kështu thuaj profetit: ‘Si të është përgjigjur Zoti?’ dhe ‘Ç’ka thënë Zoti?’. 38 Por, në qoftë se thoni: ‘Barra e Zotit’, atëherë kështu thotë Zoti: ‘Pasi ju e përdorni shprehjen: ‘Barra e Zotit’, megjithëse ju kam urdhëruar: ‘Ruajuni se thoni ‘Barra e Zotit’; 39 unë do t’ju kap dhe do t’ju mbart e do t’ju flak ju dhe qytetin që jua dhurova juve dhe etërve tuaj, larg fytyrës sime. 40 Do t’ju mbuloj me turp të përhershëm dhe me turp të përhershme që kurrë s’do ta shlyejë harresa.”

Jeremia: 24. Dy kaçilet me fiq

24

1 Dhe, ja, Zoti më dëftoi dy kaçile plot me fiq të vëna para Tempullit të Zotit, pasi Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e treti Jehoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, nga Jerusalemi, bashkë me princat e tij, me mjeshtër e me farkëtarë dhe i çoi në Babilon. 2 Njëra kaçile i kishte fiqtë shumë të mirë, siç janë fiqtë e hershëm, kurse kaçilja tjetër i kishte fiqtë e prishur, që s’mund të haheshin, sepse ishin të këqij.

3 Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Jeremi?” Unë u përgjigja: “Fiq, fiq të mirë, shumë të mirë, edhe të këqij, shumë të këqij që nuk mund të hahen, sepse janë të këqij.” 4 Atëherë fjala e Zotit më qe drejtuar e tha: 5 ”Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Sikurse për këta fiq të mirë, ashtu do të shikoj me kujdes për të mirën e të shpërngulurve të Judesë, të cilët i treta prej këtij vendi në tokën e kaldenjve. 6 Me dhimbje do t’i prir sytë e mi mbi ta e do t’i kthej përsëri në këtë vend, do t’i ndërtoj e nuk do t’i rrënoj, do t’i mbjell e më nuk do të çrrënjos. 7 Do t’u jap një zemër për të më njohur se unë jam Zoti; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre, sepse do të kthehen kah unë me gjithë zemrën e tyre.

8 Por siç veprohet me fiqtë e këtij, që s’mund të hahen, pse janë të këqij, kështu thotë Zoti, ashtu do të veproj me Sedecinë, mbretin e Judës, e me princat e tij dhe me tepricën prej Jerusalemit, që qëndroi në këtë vend dhe me ata që banojnë në tokën e Egjiptit. 9 Do t’i bëj të jenë tmerr e pikëllim për të gjitha mbretëritë e tokës, të jenë turp e përrallë e përqeshje e mallkim në të gjitha vendet ku do t’i tres. 10 Mbi ta do të çoj shpatë, uri e murtajë derisa t’i kem zhdukur nga toka që ua dhashë atyre e etërve të tyre.”

Jeremia: 25. Shuplaka e zotit

25

1 Fjala e Zotit e drejtuar Jeremisë në lidhje me mbarë popullin e Judesë, në të katërtin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës ‑, d. m. th. në vitin e parë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit. Këtë fjalë Jeremia profet ia kumtoi mbarë popullit të Judës e të gjithë banorëve të Jerusalemit. U tha:

3”Që nga viti i trembëdhjetë i Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, deri në ditën e sotme ‑ e ky është viti i njëzetetretë ‑ më ka qenë drejtuar fjala e Zotit dhe jua kam kumtuar pa u lodhur, por ju s’më keni dëgjuar. 4 Për më tepër Zoti i ka dërguar vazhdimisht te ju të gjithë shërbëtorët e vet, profetët, por ju nuk i dëgjuat as nuk deshët t’ua vini veshin për të dëgjuar, 5 kur ju thoshte: ‘Le ta lërë secili udhën e vet të mbrapshtë dhe kthehuni nga veprat tuaja të paudha e atëherë do të mund të qëndroni në vendin, që jua dha juve Zoti e etërve tuaj prej shekulli në shekuj. 6 Mos shkoni pas hyjnive të huaja për t’u shërbyer e për t’i adhuruar. Mos më ngacmoni me veprat e duarve tuaja në hidhërim: atëherë unë nuk do t’ju çoj asnjë të keqe. 7 Por ju nuk deshët të më dëgjoni ‑ është fjala e Zotit ‑ të mos më ngacmoni në hidhërim me veprat e duarve tuaja, për të keqen tuaj.’

8 Për këtë arsye kështu thotë Zoti i Ushtrive: ‘Pasi ju nuk i dëgjuat fjalët e mia, 9 ja, unë po dërgoj t’i marrë të gjithë popujt nga Veriu ‑ është fjala e Zotit ‑ edhe Nabukodonozorin, mbretin e Babilonit, shërbëtorin tim, e do t’i sjell ata kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij dhe kundër të gjithë popujve që janë rreth tij; do t’i vras, do t’i bëj tmerr, përqeshje dhe rrënojë të përhershme. 10 Do të bëj të zhduket në mesin e tyre zëri i gëzimit e i haresë, zëri i dhëndrit e i nuses, krismën e mokrës e dritën e kandilit. 11 Krejt ky vend do të kthehet në shkretëtirë e në tmerr dhe të gjithë këta popuj do të bëhen skllevër të mbretit të Babilonit për shtatëdhjetë vjet.

12 Pasi të jenë mbushur shtatëdhjetë vjet, do ta ndëshkoj mbretin e Babilonit edhe atë popull ‑ është fjala e Zotit ‑ për shkak të paudhësisë së tyre; gjithashtu edhe tokën e kaldenjve do ta kthej në shkretëtirë të përhershme. 13 Do të bëj, pra, kundër këtij vendi të shkojnë në vend të gjitha fjalët e mia që i kam thënë kundër tij, gjithçka është shkruar në këtë libër, gjithçka parafoli Jeremia kundër të gjithë popujve. 14 Sepse edhe këtyre do t’u shërbejnë njëmend popuj të shumtë e mbretër të mëdhenj, por unë do t’i bëj të paguajnë sipas veprave të tyre, sipas veprave të duarve të veta.”

II. PROFECITË KUNDËR POPUJVE

Vegimi i kupës

15 Ja se çka më tha Zoti, Hyji i Izraelit: “Merre nga dora ime këtë kupë me verë të zemërimit tim dhe jepu të pijnë prej saj të gjithë popujt te të cilët unë do të të dërgoj. 16 Ata do të pijnë, do të marrakoten e do të dalin mendësh para shpatës që do ta shpie në mesin e tyre.” 17 Unë e mora gotën nga dora e Zotit dhe ua dhashë të gjithë popujve, te të cilët më dërgoi Zoti: 18 Jerusalemit e qyteteve të Judës ‑ mbretërve të saj e princave të saj, për t’i bërë grumbull rrënojash, tmerr e pëshpëritje për të keq e mallkim, siç janë edhe në ditën e sotme, ‑ 19 faraonit, mbretit të Egjiptit, ministrave të tij, princave të tij dhe mbarë popullit të tij; ‑ 20 të gjithë asaj përzirjeje të popujve, mbarë mbretërve të tokës së Husit, të gjithë mbretërve të filistinëve, Askalonit, Gazës, Akaronit dhe tepricave të Azotit, 21 Edomit, Moabit e bijve të Amonit; 22 të gjithë mbretërve të Tirit, të gjithë mbretërve të Sidonit e mbretërve të ishujve, përtej detit; 23 Dedanit, Temës, Buzit e të atyre që qethin tëmthat; 24 të gjithë mbretërve të Arabisë, të gjithë mbretërve të popujve të përzier, që banojnë në shkretëtirë; 25 të gjithë mbretërve të Zimbrit, mbarë mbretërve të Elamit, mbarë mbretërve të medëve, 26 gjithashtu mbarë mbretërve të Veriut, të afërm e të largët, njërit pas tjetrit, dhe mbarë mbretërve të tokës që janë mbi sipërfaqen e dheut. Pas tyre do të pijë mbreti Sesak.

27 Ti thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Pini, dehuni e villni! Rrëzohuni e mos u ngritni pas shpatës që do ta dërgoj në mesin tuaj. 28 Nëse nuk do të duan ta marrin kupën prej dorës sate për ta pirë, thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Patjetër do të pini! 29 Sepse, ja: fillova ta ndëshkoj Qytetin që mban emrin tim e ju kujtoni se do të mbeteni të pandëshkuar? Jo, s’i shpëtuat ndëshkimit! Ja, unë e thirra shpatën kundër të gjithë banorëve të tokës ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.

30 E ti kumtoju atyre të gjitha këto fjalë e thuaju:

Prej së larti Zoti ulërin,

nga banesa e tij e shenjtë i buçet zëri.

Ulërin thekshëm mbi kullota të veta,

buçet porsi ata që shtrydhin rrush

kundër të gjithë banorëve të tokës.

31 I arrin zëri luftarak deri në skaje të tokës:

Zoti ka gjyq kundër të gjithë popujve,

hap gjykimin kundër çdo njeriu,

fajtorët shpatës ia lëshon

‑ është fjala e Zotit.

32 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Ja, e keqja po kalon

prej një populli në popullin tjetër;

po ngrihet stuhi e madhe

prej skajeve të rruzullimit!

33 Atë ditë të goditurit prej Zotit do të jenë nga një skaj i tokës deri në tjetrin; askush s’do t’i vajtojë as nuk do t’i mbledhë as nuk do t’i varrosë: pleh do të mbesin mbi sipërfaqen e tokës!

34 Qani, barinj, e vajtoni,

bujarë të grigjës zhgërryhuni në pluhur

se ju plotësuan ditët e therjes,

ditët e shpartallimit tuaj,

do të rrëzoheni si enë të çmueshme.

35 Vrimë s’do të ketë për strehim të barinjve,

as shpëtim për bujarët e grigjës.

36 Ndihet britma e barinjve,

ulërijnë bujarët grigjës:

Zoti po ua rrënon kullotat!

37 I mb’loi heshtja kullotat e qeta

për shkak të furisë së zemërimit të Zotit!

38 E lë luani strofullin e vet,

sepse toka e tyre u shndërrua në shkretëtirë,

para hidhërimit të furishëm,

para zemërimit të zemërimit të Zotit.

Jeremia: 26. Jeremia burgoset e gjykohet pas predikimit kundër Tempullit

26

1 Në fillim të mbretërimit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, Jeremisë i qe drejtuar prej Zotit kjo fjalë: 2 ”Kështu thotë Zoti: Qëndro në treme të Shtëpisë së Zotit dhe thuaju të gjitha qyteteve të Judës, prej të cilave vijnë për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që unë të kam urdhëruar t’ua thuash: ruaju se e mungon ndonjë fjalë. 3 Ndoshta dëgjojnë e kthehen secili nga udha e vet e keqe, e të pendohem edhe vetë për të keqen që kam në mend t’ua bëj atyre për shkak të veprave të tyre të këqija. 4 Thuaju, pra: Kështu thotë Zoti: Nëse nuk do të më dëgjoni të ecni sipas Ligjit tim, që jua kam dhënë, 5 duke i dëgjuar fjalët e shërbëtorëve të mi profetë, që unë i kam dërguar vazhdimisht, megjithëse deri tashti nuk i keni dëgjuar, 6 do të sillem me këtë Tempull porsi me Silon e këtë qytet do ta bëj mallkim për të gjithë popujt e tokës.”

7 Priftërinj, profetë e mbarë populli e dëgjuan Jereminë duke i folur këto fjalë në Shtëpinë e Zotit. 8 Kur Jeremia u dha fund të gjitha fjalëve që ia kishte urdhëruar Zoti t’ia thotë mbarë popullit, atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: “Do të të shkojë koka! 9 Pse ti e bëre këtë profeci në emër të Zotit: ‘Ky Tempull do të bëhet si Siloja e ky qytet do të shkretohet, sepse askush në të nuk do të banojë!’“ Dhe u grumbullua kundër Jeremisë mbarë populli në Shtëpinë e Zotit. 10 I dëgjuan këto fjalë edhe prijësit e Judës, erdhën nga Pallati i mbretit në Shtëpinë e Zotit dhe zunë vend në hyrje te dera e Re e Tempullit të Zotit.

11 Atëherë priftërinjtë e profetët u thanë krerëve dhe mbarë popullit: “Ky njeri meriton gjykimin me vdekje, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti siç dëgjuat me veshët tuaj.” 12 Por Jeremia u tha të gjithë prijësve dhe mbarë popullit: “Zoti më dërgoi të profetizoj kundër kësaj Shtëpie e kundër këtij qyteti të gjitha këto fjalë që i dëgjuat. 13 Tashti, pra, përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja dhe dëgjojeni fjalën e Zotit, Hyjit tuaj: atëherë edhe Zoti do të pendohet për të keqen që ju ka kërcënuar se do t’jua bëjë. 14 Sa për mua, ja, unë jam në duart tuaja. Bëni me mua si jua pret mendja se është mirë e drejt. 15 Megjithatë, dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm; sepse me të vërtetë Zoti më dërgoi ndër ju për t’ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.”

16 Atëherë prijësit e mbarë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: “Ky njeri nuk duhet të dënohet me vdekje, sepse na ka folur në emër të Zotit, Hyjit tonë.” 17 Atëherë u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i thanë mbarë bashkësisë së popullit: 18 ”Mike Morastiti ishte profet në ditët e Ezekisë, mbretit të Judës, dhe i tha mbarë popullit të Judës: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Sioni do të lërohet porsi ara,

grumbull gurësh do të bëhet Jerusalemi,

kurse Mali i Tempullit një pyll i madh.’

19 Vallë, a me vdekje e dënoi atë Ezekia, mbreti i Judës, dhe mbarë Juda? Pse, a vallë, nuk e druajtën Zotin dhe nuk u lutën para fytyrës së tij dhe Zoti vallë a s’u pendua për të keqen me të cilën u ishte kërcënuar? E ne? Ne po e ngarkojmë shpirtin tonë me një të keqe kaq të madhe!”

20 Po ishte edhe një njeri që profetizonte në emër të Zotit; ishte Uria, biri i Semeut, nga Kariatiarimi. Edhe ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi krejtësisht si Jeremia. 21 I dëgjoi mbreti Joakim, të gjithë të mëdhenjtë e prijësit e tij këto fjalë dhe mbreti kërkoi ta vrasë. Mori vesh Uria, u tremb, iku dhe u strehua në Egjipt. 22 Atëherë mbreti Joakim dërgoi njerëzit në Egjipt, Elnatamin, birin e Akborit, edhe disa vetë bashkë me të në Egjipt. 23 Ata e morën Urinë prej Egjiptit dhe e çuan te mbreti Joakim. Ky urdhëroi t’i pritet me shpatë koka dhe kufomën e tij e hodhi në varreza të vegjëlisë. 24 Jereminë e mori në ndore Ahikami, biri i Safanit, që të mos lihej në duar të popullit e të mos vritej.

Jeremia: 27. Veprimi simbolik me zgjedhën dhe kumtim mbretërve të Perëndimit

27

1 Në fillim të mbretërisë së Sedecisë, birit të Jozisë, mbretit të Judës, kjo fjalë i qe drejtuar prej Zotit Jeremisë: 2 ”Kështu më thotë Zoti: puno për vete litarë e një zgjedhë dhe mbërtheje në qafën tënde. 3 E çoji fjalë mbretit të Edomit, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tirit e mbretit të Sidonit me anë të lajmëtarëve, të cilët kanë ardhur te Sedecia, mbreti i Judës, në Jerusalem. 4 Urdhëroji t’u thonë zotërinjve të vet: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Kështu thuajuni zotërinjve tuaj: 5 Unë e krijova tokën, njeriun dhe kafshët që janë përmbi sipërfaqen e tokës, me fuqinë time të madhe e me krahun tim të shtrirë dhe ia dhurova atij që u pëlqeu syve të mi. 6 E tani për tani unë i lashë të gjitha këto vende në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim. Për më tepër në duar të tij i lashë edhe egërsirat e malit që t’i shërbejnë. 7 Të gjithë popujt do t’i shërbejnë atij e birit të tij dhe birit të birit të tij, derisa t’i vijë dita edhe atij e tokës së tij: atij do t’i shërbejnë popuj të shumtë e mbretër të mëdhenj. 8 Ai popull dhe ajo mbretëri që nuk do t’i nënshtrohet Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, secili që nuk do ta përkulë qafën e vet nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, unë do ta ndëshkoj atë popull ‑ është fjala e Zotit ‑ me shpatë, me uri e me murtajë derisa ta kem asgjësuar në duart e tij. 9 Ju pra, mos i dëgjoni profetët tuaj, shortarët, ëndërruesit, falltarët e magjistarët që ju thonë: ‘S’do të bini në skllavëri të mbretit të Babilonisë’, 10 sepse ju profetizojnë rrena, që t’ju largojnë nga vendi juaj, që unë t’ju dëboj e të sharroni. 11 Kurse popullin që do ta mbërthejë zverkun e vet në zgjedhën e mbretit të Babilonisë e do t’i shërbejë, do ta lë të rrijë i qetë në vendin e vet ‑ është fjala e Zotit ‑ do ta lëvrojë atë e do të banojë në të.”

12 Edhe Sedecisë, mbretit të Judës, i kam folur po të njëjtat fjalë e i kam thënë: “Përuleni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, shërbejini atij dhe popullit të tij e do t’ju shpëtojë jeta. 13 Përse të vdisni ti dhe populli yt nga shpata, uria e murtaja, siç ka thënë Zoti për popullin që s’do të dojë t’i shërbejë mbretit të Babilonisë? 14 Mos i dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: ‘S’do të bini nën skllavëri të mbretit të Babilonisë’, sepse ata ju flasin rrena. 15 Sepse ata unë nuk i kam dërguar ‑ është fjala e Zotit ‑ ata rrejshëm profetizojnë në emër tim, që unë t’ju përbuz e të sharroni, si ju, ashtu edhe profetët që ju profetizojnë.”

16 Po edhe priftërinjve dhe këtij populli i kam folur kështu: “Kështu thotë Zoti: Mos i dëgjoni fjalët e profetëve tuaj, që ju profetizojnë e thonë: ‘Ja, enët e Shtëpisë së Zotit tashti së shpejti do të kthehen këtu prej Babilonisë!’ Ata ju profetizojnë rrena! 17 Pra, mos i dëgjoni, por shërbejini mbretit të Babilonit, që të jetoni. Përse të bëhet shkretëtirë ky qytet? 18 Në qoftë se janë profetë dhe po qe se fjala e Zotit është në ta, le të ndërmjetësojnë, pra, te Zoti i Ushtrive që të mos shkojnë në Babiloni enët që kanë mbetur në Shtëpinë e Zotit e në pallatin e mbretërve të Judës e në Jerusalem!” 19 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive lidhur me shtyllat, me detin, me bazat e me enët e tjera, që mbetën në këtë qytet, 20 të cilat nuk i mori Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, kur e shpërnguli Jehoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, nga Jerusalemi në Babiloni bashkë me të gjithë bujarët e Judës e të Jerusalemit. 21 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, në lidhje me enët, që janë lënë në Shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës e në Jerusalem: 22 ‘Do të çohen në Babiloni dhe atje do të qëndrojnë deri në ditën që unë të shkoj për to ‑ është fjala e Zotit ‑ e të bëj që të merren e të kthehen në këtë vend. ’“

Jeremia: 28. Grindje me profetin Ananì

28

1 Po atë vit, në fillim të mbretërisë së Sedecisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më tha Anania, biri i Azurit, profeti i Gabaonit, në Tempullin e Zotit ndër sy të priftërinjve e të mbarë popullit: 2 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: E copëtova zgjedhën e mbretit të Babilonisë! 3 Edhe dy vjet e unë do të bëj të kthehen në këtë vend të gjitha enët e Shtëpisë së Zotit, që i pati marrë Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e i pati çuar në Babiloni. 4 Po edhe Jekoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, me të gjithë të humburit e Judës, që i shpuri në Babiloni, do t’i kthej në këtë vend ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse unë do ta copëtoj zgjedhën e mbretit të Babilonisë.”

5 Atëherë profeti Jeremi iu përgjigj Ananisë profet, para syve të priftërinjve dhe ndër sy të mbarë popullit, që ishte në Shtëpinë e Zotit, 6 dhe profeti Jeremi i tha: “Ashtu qoftë! Ashtu e bëftë Zoti! Dashtë i madhi Zot e i çoftë në vend gjërat që ti i parakallëzove, që të kthehen enët në Shtëpinë e Zotit edhe të gjithë të shpërngulurit të kthehen prej Babilonisë në këtë vend! 7 Megjithatë, dëgjoje mirë këtë fjalë që po ta them në veshë të tu e në veshë të mbarë popullit: 8 Profetët që qenë para meje e para teje, prej kohëve më të lashta, parakallëzuan kundër vendeve të shumta e mbretërive të mëdha luftë, vuajtje e murtajë; 9 kurse për profetin që parakallëzon paqen, kur t’i plotësohet fjala, atëherë do të dihet se është profet, të cilin vërtet e ka dërguar Zoti.”

10 Atëherë profeti Anani e hoqi prej qafës së profetit Jeremi zgjedhën dhe e theu. 11 Atëherë foli Anania në sy të mbarë popullit e tha: “Kështu thotë Zoti: Kështu do ta copëtoj zgjedhën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, pas dy vjetësh prej qafës së të gjithë popujve.”

Atëherë profeti Jeremi shkoi në punë të vet.

12 Tashti, pasi profeti Anani e theu zgjedhën që e hoqi nga qafa e profetit Jeremi, fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë profet. I tha: 13 ”Shko e thuaji Ananisë: Kështu thotë Zoti: I theve zgjedhat e drunjta? Në vend të tyre do të duhet t’i punosh të hekurta! 14 Sepse, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Zgjedhë të hekurt mbërtheva mbi qafën e të gjithë këtyre popujve që të bëhen skllevër të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë: dhe do të bëhen skllevërit e tij; për më tepër atij ia lashë në shërbim deri edhe egërsirat e malit!”

15 Profeti Jeremi i tha profetit Anani: “Dëgjo, Anani! Zoti ty nuk të ka dërguar e ti bëre që populli ta besojë gënjeshtrën! 16 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po të dëboj nga faqja e këtij vendi; sivjet do të vdesësh, sepse ti ke predikuar kryengritjen kundër Zotit!”

17 Po atë vit, në muajin e shtatë, vdiq profeti Anani.

Jeremia: 29. Letra të shpërngulurve

29

1 Ja fjalët e letrës që Jeremia profet ia dërgoi nga Jerusalemi Tepricës së të shpërngulurve ‑ krerëve, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, të cilët i shpërnguli nga Jerusalemi Nabukodonozori dhe i çoi në Babiloni, 2 pasi ishin nisur nga Jerusalemi mbreti Jekonia, zonja mbretëreshë, bujarët e pallatit, prijësit e Judës e të Jerusalemit, mjeshtër e argjendarë. 3 Letra i qe dërguar për dorë të Elasës, birit të Safanit, e të Gamarisë, birit të Helcisë, të cilët i dërgoi Sedecia, mbreti i Judës, te Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Babiloni.

Në letër thoshte:

4 “Kështu u thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, të gjithë të humburve që i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni: 5 Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to; mbillni kopshte e hani frutat e tyre; 6 martohuni e lindni djem e vajza; merruni djemve tuaj gra, martojini vajzat tuaja, e të lindin bij e bija e shtohuni atje e mos u pakësoni! 7 Kërkojeni të mirën e vendit ku ju kam tretur e luteni Zotin për të, sepse në mirëqenien e tij qëndron edhe e mira juaj. 8 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Mos lejoni t’ju bëjnë të gaboni profetët që janë në mesin tuaj, dhe shortarët tuaj, dhe mos kini besim në ëndrrat tuaja që ju i ëndërroni, 9 sepse ata ju parakallëzojnë rrena në emër tim, e pra, unë nuk i dërgova ata ‑ është fjala e Zotit. 10 Sepse kjo është fjala e Zotit: Vetëm kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, vetëm atëherë do të vij t’ju shoh e do ta çoj në vend premtimin tim se do t’ju riatdhesoj. 11 Sepse unë e di mirë synimin që e kam me ju ‑ është fjala e Zotit ‑ synime paqeje e jo mjerimi: synoj t’ju jap pasardhësi dhe shpresë. 12 Ju do të më thirrni në ndihmë e do të vini tek unë; do të më luteni dhe unë do t’ju dëgjoj. 13 Do të më kërkoni e do të më gjeni sa herë që të më kërkoni me zemër të çiltër. 14 Do të lejoj të gjendem prej jush ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe do të bëj të marrë fund skllavëria juaj, do t’ju bashkoj nga të gjithë popujt e nga të gjitha vendet, në të cilat ju pata tretur ‑ është fjala e Zotit ‑. Unë do të bëj të ktheheni në vendin, nga i cili ju pata shpërngulur.

15 E vërtet ju thoni: ‘Zoti na ngriti profetë në Babilon... ’,

16 Ja, veç, se çka thotë Zoti për mbretin që rri mbi fronin e Davidit, për mbarë popullin, banorët e këtij qyteti, vëllezërit tuaj, të cilët nuk qenë tretur bashkë me ju në mërgim, 17 kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ja, po dërgoj mbi ta shpatën, urinë e murtajën; do t’i bëj si fiq të prishur që s’mund të hahen ngaqë janë shumë të këqij. 18 Do t’i përndjek me shpatë, me uri e me murtajë e do t’i bëj tmerr për të gjitha mbretëritë e tokës, shenjë mallkimi, habie, pëshpëritjeje dhe turp për të gjithë popujt, ku unë i flaka, 19 sepse nuk deshën t’i dëgjojnë fjalët e mia ‑ është fjala e Zotit ‑ që ua dërgova me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi vazhdimisht pa u lodhur, por ju s’më dëgjuat ‑ është fjala e Zotit ‑. 20 Por ju, o mërgimtarë, dëgjojeni të gjithë fjalën e Zotit, që po jua dërgoj nga Jerusalemi në Babilon.

21 Kështu i thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, Akabit, birit të Kolisë, e Sedecisë, birit të Maasisë, që në emër tim ju profetizojnë rrejshëm: Ja, unë do t’i lë në duar të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, dhe do t’i godasë ndër sytë tuaj. 22 Me ta si me nëmë do të mallkojnë të gjithë të treturit e Judës në Babiloni e do të thonë: Qofsh mallkuar si Sedecia e si Akabi, që mbreti i Babilonisë i poqi në zjarr!’, 23 për arsye se bënë poshtërsi në Izrael dhe kurorëthyerje me gratë e miqve të vet e rrejshëm e folën fjalën time në emër tim, që unë nuk u kam urdhëruar. Unë e di këtë dhe jam dëshmitar i kësaj gjëje ‑ është fjala e Zotit.”

Reagimi i një të treturi ndaj letrës së Jeremisë

24 E Semejë Nehelamitajt thuaji: 25 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Për arsye se në emër tënd i ke dërguar mbarë popullit që është në Jerusalem si edhe priftit Sofoni, të birit të Maasisë, dhe të gjithë priftërinjve një letër, ku thua: 26 Zoti të ka vënë prift në vend të priftit Jojadë për të qenë mbikëqyrës në Tempullin e Zotit mbi çdo njeri kryekëcyer që don të luajë rolin e profetit e për ta hedhur në pranga e në hekura. 27 Pse atëherë nuk e ke ndëshkuar botërisht Jereminë nga Anatoti që po shitet ndër ju për profet? 28 Sepse, përmbi të gjitha, ai edhe neve na shkruan në Babiloni: ‘Do të kalojë shumë kohë e gjatë! Ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbëltoni kopshte e hani frytet e tyre!’“

29 Prifti Sofoni ia lexoi letrën Jeremisë profet. 30 Po atëherë Jeremisë i qe drejtuar fjala e Zotit e i tha: 31 Dërgoju të gjithë të treturve këtë lajm: Kështu i thotë Zoti Semejës Nehelamit: Pasi Semeja ju profetizoi pa e pasë dërguar vetë, dhe ai ju bëri të keni besim në gënjeshtër, 32 prandaj kështu thotë Zoti: Unë do ta ndëshkoj Semejën e Nehelamit e mbarë farën e tij; askush prej farës së tij s’do të rrijë në mes të këtij populli; s’do ta shohë të mirën që unë do t’ia bëj popullit tim ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse ka predikuar kryengritjen kundër Zotit.”

Jeremia: 30. Izraelit të perëndimit i premtohet ripërtëritja

30

1 Fjala që i qe drejtuar nga ana e Zotit Jeremisë. Ai i tha: 2 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Shkruaji në një libër të gjitha fjalët që t’i kam drejtuar. 3 Sepse, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ në të cilat do ta shndërroj fatin e popullit tim Izraelit e Judës, thotë Zoti ‑ dhe do t’i kthej në vendin, që ua dhashë etërve të tyre, dhe do ta ripronësojnë.”

4 Dhe, ja, fjalët që tha Zoti lidhur me Izraelin e me Judën:

5 Kështu thotë Zotynë!

“Po dëgjojmë një britmë tmerri:

është klithmë tmerri e jo paqeje!

6 Pyetni e shqyrtoni: a thua mund të lindë mashkulli?

Pse atëherë çdo mashkull

duart në veshka i ka vënë

porsi gruaja kur do të lindë?

Pse çdo fytyrë është përçudnuar,

mërrolur e krejtësisht zbehur?

7 Eheu, se e madhe është kjo ditë,

jo, një e tillë si ajo nuk ishte!

Kohë ngushtice për Jakobin,

por me të i vjen çlirimi!”

8 Ja, ç’do të ndodhë! Atë ditë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ unë do ta thyej zgjedhën e tij nga qafa jote, do t’i copëtoj hekurat e tua! Kurrë nuk do t’i shërbejnë të huajit, 9 por do t’i shërbejnë Zotit, Hyjit të vet, dhe Davidit, mbretit të vet që unë do t’ua ngre për ta.

10 Pra, mos druaj, Jakob, shërbëtori im,

‑ është fjala e Zotit ‑ më frikë mos ki, o Izrael,

sepse unë do të të çliroj nga dheu i largët,

pasardhësit e tu nga dheu i mërgimit.

Do të kthehet Jakobi e do të pushojë,

do të jetë i sigurt, frikë prej kujt s’do të ketë!

11 Sepse unë jam me ty

‑ është fjala e Zotit ‑

për të të ruajtur të lirë!

Do t’i shfros të gjithë popujt,

në të cilët të kam shpërngulur;

kurse ty nuk do të të dëmtoj,

do të të ndëshkoj, porse me masë,

të pandëshkuar si të pafaj s’do të lë.

12 Sepse Zoti kështu thotë:

“Plaga jote është e pashërueshme,

varra jote është shumë e rëndë.

13 Për plagë tënde barna s’ka,

varra jote s’do të bëjë vërragë!

14 Dashnorët e tu të gjithë të harruan,

nuk pyesin më për ty.

Të rashë siç di të bjerë armiku,

të ndëshkova me ndëshkim të rreptë,

për shkak të t’këqijave të tua të shumta,

për të shumtat fajet e tua!

15 Pse qan për plagët e tua?

E pashërueshme është plaga jote.

Për shkak të të keqes sate të madhe

e për shkak të fajeve të tua të rënda,

t’i çova të gjitha këto të këqija.

16 Por veç edhe të gjithë ata që ty të përpinë,

po, po, të përpirë do të mbeten,

armiqtë e tu në mërgim do të çohen,

do të shkretohen, ata që të shkretuan,

plaçkitësit e tu plaçkë do t’i bëj!

17 Varrën tënde do ta bëj të vërë vërragë,

do të të shëroj nga plagët e tua

‑ është fjala e Zotit ‑

sepse ty të quajtën ‘E dëbuara’,

Sioni, për të cilin kush s’vret mendjen’!

18 Kështu thotë Zoti:

‘Ja, unë do ta përmirësoj fatin

e tendave të Jakobit,

mëshirë do të kem për banesat e tij:

mbi rrënojat e tij qyteti do të ndërtohet,

në vendin e vet kalaja do të ndreqet,

19 prej tyre do të jehojë brohoritja

e britma e atyre që gëzojnë!

Do t’i shumoj e s’do t’i pakësoj,

do t’i bëj të nderuar

e nuk do të përbuzen.

20 Bijtë e tij do të jenë porsi dikur,

bashkësia e tij para meje do të qëndrojë e patrandshme,

do t’i ndëshkoj të gjithë kundërshtarët e tij.

21 Prijësi i tij prej tij do të dalë,

sundimtari i tij prej tij do të ngrihet:

të më qaset do ta lë dhe ai do të më afrohet.

Sepse kush është ai që guxon

në rrezik ta vërë jetën për të m’u afruar?

‑ është fjala e Zotit! ‑

22 Ju do të jeni populli im

e unë do të jem Hyji juaj!

23 Ja, stuhia e Zotit, shpërthen furia,

gurë e dhe thellimi rrokullon:

mbi kokë të të patenzonëve po derdhet!

24 S’do të pushojë Zoti nga zjarri i zemërimit të vet

derisa t’i çojë në vend e t’i plotësojë

synimet e zemrës së vet!

Ditën e fundit do t’i kuptoni të gjitha!

Jeremia: 31. Rimëkëmbja i premtohet Judës

31

1 Po, në atë kohë ‑ është fjala e Zotit ‑

unë do të jem Hyji i të gjitha fiseve të Izraelit

dhe ato do të jenë populli im.

2 Kështu thotë Zoti:

Gjeti hir në shkretëtirë

populli që i shpëtoi shpatës:

Izraeli po shkon drejt vendbanimit të vet!

3 Prej së largu mua Zoti m’u dëftua:

“Të desha me dashuri të amshueshme,

prandaj ruajta për ty mëshirën.

4 Përsëri do të të ndërtoj e do të ndërtohesh,

o virgjëra e Izraelit!

Përsëri do të stolisesh me tupanat e tu

e do të hidhesh në valle!

5 Prapë do të mbëltosh vreshta

në malet e Samarisë:

do të mbëltojnë mbëltuesit

e do të vjelin të vjela!

6 Sepse do të vijë dita

kur rojtarët do të bërtasin

në malin e Efraimit:

“Mëkëmbni! Të ngjitemi në Sion,

te Zoti, Hyji ynë!”

7 Sepse kështu thotë Zoti:

Brohoritni me gëzim për Jakobin,

lavdëroni të parin ndër popuj,

t’ju kumtojë zëri, këndoni e thoni:

‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd,

Tepricat e Izraelit!’

8 Ja, unë po i kthej nga toka e Veriut,

do t’i bashkoj nga skajet e tokës:

ndër ta janë të verbër e të shqepët,

së bashku shtatzëna e ajo që të lind:

bashkësi e madhe që këtu po kthehet!

9 Shkuan duke vajtuar,

do t’i kthej duke lotuar nga gëzimi,

do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve,

udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua,

sepse jam baba i Izraelit,

Efraimi është djali im i madh.

10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,

shpalleni ndër ishuj të largët!

Thoni:

“Ai që e shpërndau Izraelin

përsëri po e bashkon,

do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.

11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

e çliroi nga dora e më të fortit.

12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde

në malin e Sionit,

do të ngarendin drejt të mirave të Zotit,

drejt drithit, verës e vajit,

drejt grigjave e drejt lorive.

Shpirti i tyre do të jetë kopsht i ujitur,

urinë kurrë më s’do ta sprovojnë!

13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,

djelmoshat së bashku me pleq.

Zinë e tyre në galdim do ta kthej,

do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.

14 Priftërinjtë do t’ua shujtoj me dhjamë,

popullin tim do ta ngij me të mira

‑ është fjala e Zotit.

15 Kështu po thotë Zotynë:

‘Po dëgjohet një zë në Ramë!

Vajtim, gjëmë edhe dënesje:

vajton Rakela bijtë e vet!

Assesi s’mund të pajtohet,

pse ata më nuk janë!’

16 Kështu thotë Zoti:

‘Pusho më së vajtuari,

edhe sytë e tu nga lotët,

dhimba jote ka shpagim:

‑ është fjala e Zotit ‑

ata do të kthehen prej dheut të armikut.

17 Ka shpresë për pasardhës të tu

‑ është fjala e Zotit

bijtë e tu do të kthehen në tokë të vet!’

18 Po e dëgjoj fare mirë

Efraimin tek shpërngulet:

“Ti më ndëshkove e unë nxura mend

porsi mëzati i pamësuar;

bëj që të kthehem e unë do të kthehem,

sepse ti je Zoti, Hyji im.

19 Pasi ta ktheva shpinën, zura të pendohem,

pasi më bëre ta njoh gabimin,

kokën time e rraha me grushte;

i turpëruar jam e i skuqur,

sepse e mbarta turpin e rinisë sime!”

20 Vallë, Efraimi a s’është biri im i dashur,

a s’e kam unë djalë për zemër?

Pse, sa herë që i kërcënohem,

aq herë prapë mendoj për të!

Prandaj zemra për të më dridhet:

kam dhimbje, po kam dhimbje për të!’

‑ është fjala e Zotit.

21 Ngul gurë tregues të udhës,

vër shenja që të të tregojnë rrugën,

përqëndroje mendjen në udhë,

në rrugën, nëpër të cilën ece!

Kthehu, Virgjëra e Izraelit,

kthehu në qytetet e tua!

22 Deri kur kështu do të endesh,

bija ime kundërshtare?!

Diçka të re po krijon Zoti në tokë:

Gruaja do ta rrethojë Burrin.

Rimëkëmbja i premtohet Judës

23 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: “Gjithnjë do të thuhet kjo fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e tij, kur unë ta kem ndryshuar fatin e tyre:

Të bekoftë Zoti,

banesë e Drejtësisë,

ty, o Mali i Shenjtë!

24 Në këtë vend do të ngulë Juda dhe të gjithë qytetet e tij së bashku, bujqit dhe ata që ruajnë grigjat. 25 Sepse:

Unë do ta përtërijë shpirtin e mekur,

do ta ngij çdo shpirt të marrakotur.

26 Sepse:

Posa u zgjova, vërejta:

sa e ëmbël që ishte ëndrra ime!

Izraeli e Juda

27 “Ja, po vijnë ditët ‑ thotë Zoti ‑ e do ta mbjell në shtëpinë e Izraelit e në shtëpinë e Judës farën e njerëzve e farën e bagëtive. 28 Dhe, sikurse qeshë i kujdesshëm kundër tyre për të çrrënjosur, për të shkatërruar, për të shpërndarë, për të shpërngulur e për të ndëshkuar, kështu do të jem i kujdesshëm ndaj tyre për të ndërtuar e për të mbjellë ‑ është fjala e Zotit.”

Përgjegjësia vetjake

29 Në ato ditë nuk do të thuhet më:

“Etërit hëngrën rrush të thartë

dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve”,

30 por secili do të vdesë për shkak të fajit të vet. Kushdo që të hajë rrush të papjekur, do t’i mpihen dhëmbët!

Besëlidhja e Re

31 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. 32 Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje qenë ata që e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre ‑ është fjala e Zotit. 33 Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit ‑ është fjala e Zotit ‑ : Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. 34 Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri‑tjetrin e vëllai vëllanë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ‑ thotë Zoti ‑ sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”

Përhershmëria e Izraelit

35 Kështu thotë Zoti,

Ai që diellin e bën të ndriçojë ditën,

hënën e yjet që të ndriçojnë natën,

që e tund detin e i ushtojnë valët,

që e ka emrin Zoti i Ushtrive:

36 Nëse këto ligje para meje zhduken,

‑ është fjala e Zotit ‑

atëherë do të zhduket edhe fara e Izraelit,

e s’do të jetë popull para meje askurrë.

37 Kështu thotë Zoti:

Nëse mund të matet qielli lart,

nëse themelet e tokës poshtë mund të gjurmohen,

atëherë unë do ta flak farën e Izraelit

për gjithçka që ai ka bërë,

‑ është fjala e Zotit.

Rindërtimi dhe madhëria e Jerusalemit

38 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe Qyteti i Zotit do të rindërtohet nga pirgu Hananeel deri në Derën e Këndit, 39 e pastaj do të zgjatet litari i matjes drejt deri në kodrën Gareb dhe do të kthehet drejt Goasë. 40 Pastaj mbarë lugina e kufomave dhe e hirit si dhe mbarë krahina deri te përroi Cedron dhe deri në Këndin e Derës së Kuajve në Lindje, do të jenë të kushtuara Zotit: kurrë më s’do të çrrënjoset as nuk do të rrënohet!

Jeremia: 32. Blerja e një are, peng i të ardhmes së lumtur për Judën

32

1 Kjo fjalë i qe drejtuar Jeremisë prej Zotit në të dhjetin vit të Sedecisë, mbretit të Judës, d. m. th. në të tetëmbëdhjetin vit të Nabukodonozorit. 2 Asohere ushtria e mbretit të Babilonisë e mbante në rrethim Jerusalemin dhe profeti Jeremi ishte i burgosur në oborrin e pallatit të mbretit të Judës. 3 Sedecia, mbreti i Judës, e kishte burgosur me këto fjalë: “Pse profetizon e thua: ‘Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta lëshoj këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë. 4 As Sedecia, mbreti i Judës, nuk do t’u shpëtojë duarve të kaldenjve, por do të bjerë në duar të mbretit të Babilonisë dhe do të bisedojë me të gojë për gojë dhe do ta shikojë sy ndër sy. 5 Sedecinë do ta çojë në Babilon dhe atje do të qëndrojë derisa unë t’i shkoj në pasi ‑ është fjala e Zotit. Por, edhe në qoftë se do të luftoni kundër kaldenjve, s’do të keni kurrfarë suksesi!’“?

6 Jeremia i tha: “Kështu më qe drejtuar fjala e Zotit: 7 Ja, Hanameeli, biri i Salumit, djali i ungjit tënd, po vjen te ti e do të thotë: ‘Bleje arën time që është në Anatot; sepse ty të takon ta blesh pasi je kushëriri’.

8 Kushëriri im Hanameeli erdhi tek unë ashtu siç ishte fjala e Zotit. Erdhi te dera e oborrit të burgut e më tha: ‘Bëje pronë tënden arën time që e kam në Anatot, në tokën e Beniaminit, sepse ty të takon trashëgimi, dhe ti je më i afërmi që i takon ta shpaguajë.’ E kuptova se ishte fjala e Zotit 9 dhe e bleva arën prej Hanameelit, djalit të ungjit tim, që është në Anatot, dhe ia peshova argjendin: shtatëmbëdhjetë sikla të argjendta. 10 E shkrova kontratën e shitblerjes, e nënshkrova, mora dëshmitarët dhe e peshova argjendin në peshore. 11 Atëherë e mora dokumentin e blerjes të vulosur ‑ sipas rregulloreve të përpikta. 12 Dokumentin e pronësisë ia dhashë Barukut, birit të Neriut, birit të Maasisë, ndër sy të Hanameelit, kushëririt tim, ndër sy të dëshmitarëve, që nënshkruan në dokumentin e shitblerjes dhe ndër sy të të gjithë judenjve, që ndodheshin në oborrin e burgut. 13 Ndër sy të tyre Barukut i dhashë këtë urdhër: 14 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Merri këto dokumente, këtë dokument të blerjes të vulosur, si dhe këtë dokumentin tjetër që është i hapur, shtjeri në enë argjile, që të mund të qëndrojnë për kohë të gjatë. 15 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Edhe pas kësaj dite do të blehen shtëpi, ara dhe vreshta në këtë vend!

16 Pasi ia dorëzova kontratën e blerjes Barukut, birit të Neriut, iu luta Zotit e thashë: 17 Ah, o Zot, Hyj, ti e përftove qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë! Për ty asgjë s’është e vështirë! 18 Ti ke mëshirë për mijëra, por edhe e ndëshkon fajësinë e etërve mbi bijtë e tyre pas tyre! O Hyj i madhërishëm, i gjithëpushtetshëm! Zot i Ushtrive është emri i tij: 19 i madhërueshëm në synime, i gjithëpushtetshëm në vepra. Sytë e tij rrinë hapur mbi sjelljet e bijve të Adamit, për ta shpërblyer gjithcilin sipas sjelljes dhe sipas fryteve të veprave të secilit. 20 Ti bëre shenja e mrekulli në tokën e Egjiptit deri në ditën e sotme në Izrael e mes njerëzve dhe e madhërove emrin tënd siç mund ta shohim sot! 21 Ti e nxore popullin tënd Izraelin nga toka e Egjiptit me shenja e me mrekulli të mëdha me krah të shtrirë e me tmerr të madh. 22 Ti ua dhe këtë tokë, për të cilën u qe betuar etërve të tyre se do t’ua japësh, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. 23 Ata hynë dhe e pronësuan, por nuk e dëgjuan zërin tënd dhe nuk ecën sipas Ligjit tënd: nuk bënë gjithçka ti i kishe urdhëruar të bëjnë, prandaj ti i çove përmbi ta të gjitha këto të vështira. 24 Ja, u rrethuan veprat e rrethimit kundër qytetit që të pushtohet dhe kalaja u la në duart e kaldenjve që po luftojnë kundër saj me shpatë, me uri e me murtajë. Gjithçka ti ke thënë, ja, po ndodh siç po sheh edhe ti vetë. 25 E pra, ti, o Zot Hyj, më thua: Bleje arën me para e thirri dëshmitarët, kurse qyteti tashmë është lënë në duar të kaldenjve!”

26 Atëherë iu drejtua fjala e Zotit Jeremisë dhe i tha: 27 “Ja, unë jam Zoti Hyji i çdo qenieje të gjallë! Pse, vallë, për mua do të jetë ndonjë gjë e pamundshme?! 28 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po e lë në duar të kaldenjve këtë qytet dhe në duart e mbretit të Babilonisë: ai do ta pushtojë. 29 Do të hyjnë kaldenjtë që luftojnë kundër tij, do ta djegin me zjarr, do t’i bëjnë shkrumb shtëpitë, mbi taracat e të cilave u kushtonin fli Baalit dhe u kushtonin fli njomjeve hyjnive të tjera me qëllim që të më ngacmonin. 30 Sepse bijtë e Izraelit e bijtë e Judës, që nga rinia e tyre, bënin të keqen ndër sytë e mi; bijtë e Izraelit s’ditën të bëjnë tjetër deri në ditën e sotme, pos të më ngacmojnë me veprat e duarve të veta ‑ është fjala e Zotit.

31 Vërtet ky qytet, që kur u ndërtua, s’më qe për tjetër, por për hidhërim e zemërim deri në ditën e sotme që do të zhduket prej pranisë sime, 32 për shkak të keqësisë së bijve të Izraelit e të bijve të Judës, që e bënë me qëllim që të më zemërojnë ata dhe mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë e profetët e tyre, judenjtë banorët e Jerusalemit. 33 Shpinën ma sollën e jo fytyrën; unë i mësoja me kujdesin më të madh, por ata s’donin të më dëgjonin për ta marrë mësimin. 34 Vendosën idhujt në Shtëpinë, mbi të cilën u thirr Emri im për ta dhunuar atë. 35 Ndërtuan lartësi për nder të Baalit në luginën Benenom për t’i kaluar nëpër zjarr bijtë e bijat e veta për nder të Molokut ‑ gjë që unë kurrën e kurrës nuk e kisha urdhëruar, as nëpër mend nuk më kishte shkuar ta bënin një poshtërsi të tillë dhe Judën ta shpinin në mëkate.”

36 Megjithatë, e po për të njëjtën arsye, kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ju thoni se me shpatë, me uri e me murtajë do t’i lihet në dorë mbretit të Babilonisë: 37 ‘Ja, unë do t’i bashkoj nga të gjitha vendet në të cilat i pata tretur ‑ në zemërimin tim, në hidhërimin tim e në zemërimin tim të madh: unë do t’i kthej në këtë vend e do të bëj të banojnë krejtësisht të sigurt. 38 Këta do të jenë populli im dhe unë do të jem Hyji i tyre. 39 Unë do t’u jap një zemër të vetme dhe një udhë të vetme që të më druajnë mua vazhdimisht, që të jenë mirë ata dhe bijtë e tyre pas tyre. 40 Unë do të lidh me ta një besëlidhje të amshueshme: nuk do të pushoj duke u bërë mirë e në zemrën e tyre do ta fus frikën time që të mos largohen prej meje. 41 Kënaqësi për mua do të jetë t’u bëj mirë. Do të bëj thellë të lëshojnë rrënjë në këtë vend me gjithë besnikërinë time, me gjithë zemrën time e me gjithë shpirtin tim. 42 Sepse kështu thotë Zoti: Sikurse mbi këtë popull solla një të keqe kaq të madhe, kështu do të sjell përmbi ta çdo të mirë që ua premtoj. 43 Do të blihen ara në këtë vend, për të cilin ju thoni se është shkretëtirë, sepse në të nuk mbeti njeri as s’mbeti kafshë, por u la në dorën e kaldenjve. 44 Arat do të blihen me para, do të shkruhen në vërtetimin e pronësisë, do t’u vihet vula e do të vërtetohen me dëshmitarë në tokën e Beniaminit, në rrethet e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet malore, në qytetet e Sefelës dhe në qytetet e mesditës, sepse do ta shndërroj fatin e tyre ‑ është fjala e Zotit.

Jeremia: 33. Një premtim i ri i ripërtëritjes

33

1 Edhe herën e dytë i qe drejtuar Jeremisë fjala e Zotit ndërkohë që ai ishte ende në oborrin e burgut. I tha: 2 ”Kështu thotë Zoti, që do ta bëjë këtë, Zoti që do ta trajtojë atë e do ta bëjë të qëndrueshme ‑ emri i tij është Zot. 3 Kërkoje ndihmën time e unë do të të vështroj e do të të tregoj gjëra të mëdha e të pashqyrtueshme që ti s’i di. 4 Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, lidhur me shtëpitë e këtij qyteti dhe me shtëpitë e mbretit të Judës që u rrënuan nga veprimet e rrethimit e nga shpata 5 e atyre që erdhën për të luftuar kundër kaldenjve për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që i godita në furinë time e në zemërimin tim duke e fshehur fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë keqësisë së tyre.

6 Shiko: unë vetë do ta shëroj varrën e tyre, do t’i shëroj e do t’u kthej shëndetin dhe do t’u dhuroj mbushulli paqeje të vërtetë. 7 Do ta ndërroj fatin e Judës e fatin e Izraelit dhe do t’i ndërtoj porsi në fillim. 8 Unë do t’i pastroj nga çdo fajësi, me të cilën mëkatuan kundër meje, do të kem dhimbje për të gjitha fajet e tyre, me të cilat më fyen dhe më përbuzën. 9 Do të jetë për mua zë i mirë, gëzim, nder e lavdi në sy të të gjithë popujve të tokës, kur të dëgjojnë për të gjitha të mirat që unë do t’ua bëj izraelitëve e judenjve. Popujt do të mahniten e do të dridhen për shkak të të gjitha të mirave dhe për paqe të madhe që unë do ta bëj për ta.

10 Kështu thotë Zoti: Përsëri do të dëgjohet në këtë vend, për të cilin ju thoni se është i shkretuar, pasi s’ka mbetur njeri as kafshë në qytetet e Judës e në sheshet e Jerusalemit, që janë shkretuar pa njeri, pa banorë e pa bagëti, 11 zëri i gëzimit e zëri i haresë, brohoritja e dhëndrit e brohoritja e nuses, zëri i atyre që do të brohorisin:

‘Lavdërojeni Zotin e Ushtrive,

sepse Zoti është i mirë,

sepse e amshuar është dashuria e tij!’,

ata që do të sjellin kushte në Shtëpinë e Zotit: sepse unë dua ta ripërtërij këtë vend siç ka qenë më parë ‑ është fjala e Zotit.

12 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Në këtë vend që ju thoni se është i shkretuar, pa njeri e pa kafshë, në mbarë qytetet e tij, përsëri do të ketë tëbana barinjsh që kullotin grigjat. 13 Në qytetet malore, në qytetet e Sefelës, edhe në qytetet që janë në krah të mesditës, në tokën e Beniaminit e përreth Jerusalemit, po edhe në qytetet e Judës, përsëri do të kalojnë grigjat nën dorën e atyre që e numërojnë ‑ është fjala e Zotit.

Themelatë për ardhmëri

14 Ja, po vijnë ditët ‑ është shpallje e Zotit ‑ e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës:

15 Në ato ditë e po në atë kohë,

do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie,

Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë.

16 Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë

e Jerusalemi do të banojë në siguri.

Dhe ja, emri me të cilin do të quhet Qyteti:

‘Zoti është Drejtësia jonë’.”

17 Sepse kështu thotë Zoti: Kurrë s’do t’i mungojë Davidit një pasardhës që të rrijë mbi fronin e Izraelit. 18 Kurrë s’do të mungojnë priftërinjtë levitë para fytyrës sime që të kushtojnë fli shkrumbimi, fjollë ta çojnë tymin e flive dhe të bëjnë fli për çdo ditë.

19 Atëherë Jeremisë i qe drejtuar fjala e Zotit. I tha: 20 “Kështu thotë Zoti: Në qoftë se mundeni ta prishni besëlidhjen time me ditën e besëlidhjen time me natën, kështu që ato të mos vijnë më në kohën e caktuar, 21 atëherë do të mund të prishet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, kështu që të mos ketë prej tij djalë që të mbretërojë mbi fronin e tij, kështu edhe me priftërinjtë levitë, shërbëtorët e mi. 22 Sikurse nuk mund të numërohen yjet e qiellit as s’mund të matet rëra e detit, po ashtu do ta shumoj farën e Davidit, shërbëtorit tim, edhe levitët, shërbëtorët e mi.”

23 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë, e i tha: 24 “A nuk e ke vënë re se çka thotë ky popull: ‘Dy barqet që Zoti i kishte zgjedhur, u përbuzën prej Zotit’, dhe e përbuzën popullin tim, sikurse më të mos ishte popull ndër sytë e tyre?

25 Kështu thotë Zoti: Në qoftë se unë nuk e kam lidhur besëlidhje me ditën e me natën e në qoftë se nuk ua kam vënë ligjet qiellit e tokës, 26 atëherë do ta përbuz edhe farën e Jakobit e të Davidit, shërbëtorit tim, dhe më nuk do të marr prej farës së tij prijës për farën e Abrahamit, Izakut e Jakobit: por unë do ta ndërroj fatin e tyre e do të kem mëshirë për ta.”

Jeremia: 34. Fati i fundit i Sedecisë

34

1 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë prej Zotit, kur Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e mbarë ushtria e tij, mbarë mbretëritë që ishin nën pushtetin e tij dhe të gjithë popujt luftonin kundër Jerusalemit dhe kundër të gjitha qytezave të tij. Thoshte: 2 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Shko e i thuaj Sedecisë, mbretit të Judës. Thuaj: Kështu thotë Zoti: Shiko, unë po ia dorëzoj këtë qytet mbretit të Babilonisë. Ai do ta djegë me zjarr. 3 Ti s’i shpëton dot dorës së tij, por do të kapesh e do të zihesh e do t’i dorëzohesh. Sytë e tu do t’i shohin sytë e mbretit të Babilonisë dhe goja e tij do të flasë me gojën tënde dhe do të hysh në Babiloni! 4 Megjithatë, dëgjoje fjalën e Zotit, Sedeci, mbreti i Judës! Kështu të thotë Zoti: S’do të vdesësh nga shpata, 5 por do të vdesësh në paqe. Sikurse u përeruan etërit e tu, mbretërit e mëparshëm, që qenë para teje, ashtu do të digjen edhe për ty dhe do të vajtojnë: “I mjeri unë, Imzot!” Kjo është fjala që e them unë ‑ është fjala e Zotit!

6 Të gjitha këto fjalë ia tha Jeremia profet Sedecisë, mbretit të Judës, në Jerusalem, 7 ndërsa ushtria e mbretit të Babilonit luftonte kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qytezave të Judës, që ende bënin qëndresë ‑ kundër Lakisit e kundër Azekës: vetëm këto nga fortesat e Judës bënin qëndresë.

Çlirimi i skllevërve

8 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë nga ana e Zotit, pasi mbreti Sedeci bëri besëlidhje me mbarë popullin e Jerusalemit duke u shpallur lirinë: 9 secili duhej ta linte të lirë skllavin e vet e secili skllaven e vet, hebreun e hebrejen, dhe assesi s’do të sundojnë më me ta, d. m. th. me judeun, vëllain e vet.

10 Të gjithë të parët e mbarë populli që kishin marrë pjesë në marrëveshje, morën vesh se duhej ta lëshonte secili të lirë skllavin e vet e skllaven e vet dhe më të mos kishte të drejtë ta mbante në skllavëri: si e morën vesh, i lanë të lirë. 11 Por më vonë, u sollën prapë dhe i morën përsëri skllevërit e skllavet që i kishin liruar dhe i bënë përdhunë t’u jenë skllevër e skllave. 12 Atëherë Jeremisë i qe drejtuar, nga ana e Zotit, kjo fjalë e Zotit:

13 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë bëra besëlidhje me etërit tuaj atë ditë, kur i nxora nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, e thashë: 14 ‘Kur të mbushen shtatë vjet, secili le ta lëshojë të lirë vëllanë e vet hebre që t’i jetë shitur; pasi të ketë shërbyer gjashtë vjet, lëshoje të lirë; por baballarët tuaj nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin. 15 Ju u kthyet sot e bëtë çka është e pëlqyeshme para syve të mi duke shpallur lirinë për çdo të afërm të vet; në Shtëpinë time, mbi të cilën u thirr emri im, në praninë time, bëtë këtë besëlidhje. 16 Por pastaj u sollët dhe e përdhosët emrin tim dhe secili prej jush e robëroi përsëri skllavin e skllaven e vet, që u kishte dhënë lirinë e të jenë zotërues të vetvetes, por ju i robëruat që t’i keni skllevër e skllave!

17 Për këtë arsye kështu thotë Zoti: Ju nuk më dëgjuat që t’ia shpallë secili lirinë vëllait të vet dhe secili të afërmit të vet; ja, pra, edhe unë po e shpall çlirimin tuaj ‑ është fjala e Zotit ‑ e po ia besoj shpatës, urisë e murtajës dhe do t’ju bëj përqeshjen e të gjitha mbretërive të tokës. 18 E njerëzit që e thyen besëlidhjen time dhe nuk i mbajtën fjalët e besëlidhjes, të cilat i pranuan me pëlqim para syve të mi, do të bëj si i bënë viçit që e ndanë në dy pjesë e kaluan ndërmjet dy pjesëve të tij. 19 Prijësit e Judës, prijësit e Jerusalemit, oborrtarët dhe priftërinjtë e mbarë populli i vendit që kaloi ndërmjet pjesëve të viçit, 20 do t’i lëshoj në duart e armiqve të tyre e në duart e atyre që e kërkojnë jetën e tyre. Kufomat e tyre do të jenë ushqim për shpendët e ajrit e për egërsirat e malit. 21 Sedecinë, mbretin e Judës, e princat e tij do t’i lëshoj në duar të armiqve të tyre, në duart e atyre që ua kërkojnë jetën dhe në duart e ushtrive të mbretit të Babilonisë, që tani për tani u larguan prej jush. 22 Ja, unë do të jap urdhër ‑ është fjala e Zotit ‑ do t’i kthej në këtë qytet: do të luftojnë kundër tij, do ta pushtojnë e do t’i fusin zjarr; të shkreta do t’i bëj qytetet e Judës, ku askush nuk do të banojë.”

Jeremia: 35. Shembulli i rekabitëve

35

1 Fjala që prej anës së Zotit i qe drejtuar Jeremisë në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës: 2 “Shko ndër rekabitë, fol me ta, bjeri e futi në një dhomë të Shtëpisë së Zotit dhe jepu të pinë verë.” 3 Atëherë mora Jazoninë, birin e Jeremisë, birit të Habsanisë, vëllezërit e tij, të gjithë bijtë e tij ‑ mbarë barkun e rekabitëve. 4 I solla në Tempullin e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Jegdalisë, njeriut të Hyjit, që ishte përbri dhomës së princave, mbi dhomën e Maasisë, birit të Salumit, që ishte rojtari i derës. 5 Para bijve të barkut të rekabitëve u solla poçat plot me verë dhe kupat dhe u thashë: “Pini verë!”

6 Por ata m’u përgjigjën: “Ne nuk do të pimë verë, sepse Jonadabi, biri i Rekabit, babai ynë, na urdhëroi e na tha: ‘Mos pini verë ju as bijtë tuaj, kurrën e kurrës! 7 Mos ndërtoni shtëpi, mos mbillni farë as mos mbëltoni vreshta as mos kini prona, por banoni në çadra të gjitha ditët e jetës suaj që të jetoni ditë të shumta përmbi dheun ku jetoni si endacakë’. 8 Kështu, pra, e dëgjuam urdhrin e Jonadabit, birit të Rekabit, babait tonë, në gjithçka na urdhëroi, kështu që nuk do të pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, as ne as gratë tona, as bijtë e bijat tona, 9 s’do të ndërtojmë shtëpi për të banuar, s’do të kemi as vreshta as ara të mbjella, 10 e do të banojmë nën tenda. Ne me bindje u përmbahemi gjithçkaje që na urdhëroi Jonadabi, babai ynë. 11 Por, kur Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, nisi luftën kundër këtij vendi, ne thamë: ‘Ejani të hyjmë në Jerusalem e t’i shpëtojmë ushtrisë së kaldenjve e ushtrisë siriane. Dhe qëndruam në Jerusalem.”

12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 13 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shko e thuaju njerëzve të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: Vallë, a nuk do ta pranoni mësimin tim e nuk do t’i dëgjoni fjalët e mia? ‑ është fjala e Zotit ‑. 14 Më të forta qenë fjalët e Jonadabit, të birit të Rekabit, që u urdhëroi bijve të vet që të mos pinë verë, e nuk pinë deri në ditën e sotme, sepse e dëgjuan urdhrin e babait të vet! Kurse unë ju kam urdhëruar juve me kujdesin më të madh e vazhdimisht, por nuk më dëgjuat. 15 Unë ju dërgova me kujdes e vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët për t’ju thënë: Le të kthehet secili nga udha e vet e mbrapshtë dhe përmirësojeni veprimtarinë tuaj, mos i ndiqni hyjnitë e huaja e mos i adhuroni ato e atëherë do të banoni në tokën që jua dhurova juve e etërve tuaj; por ju nuk më vutë vesh as nuk më dëgjuat. 16 Shiko, pra, bijtë e Jonadabit, të birit të Rekabit, e dëgjuan urdhrin e babait të vet që ua kishte dhënë; kurse populli im nuk më dëgjoi mua. 17 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po i sjell mbi Judën, mbi të gjithë banorët e Jerusalemit të gjitha ato të vështira me të cilat u jam kërcënuar, sepse unë u kam folur e ata nuk më dëgjuan, i thirra e ata nuk m’u përgjigjën.”

18 Atëherë Jeremia i tha barkut të Rekabit: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Pasi e dëgjuat urdhrin e Jonadabit, babait tuaj, dhe i dëgjuat të gjitha urdhërimet e tij dhe zbatuat gjithçka ju kishte urdhëruar, 19 prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Kurrën e kurrës Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë pasardhësi që do të qëndrojë para fytyrës sime çdo ditë!”

Jeremia: 36. Vëllimi i 605 604

36

1 Në të katërtin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, prej Zotit i qe drejtuar Jeremisë kjo fjalë: 2 “Merre një vëllim dhe shkruaj në të të gjitha fjalët, që t’i kam thënë kundër Izraelit, Judës dhe kundër të gjithë popujve qyshkur nisa të të flas, që prejditëve të Jozisë deri në ditën e sotme. 3 Ndoshta ata të shtëpisë së Judës, duke dëgjuar për të gjitha të këqijat që kam në mend t’ua bëj, do ta lënë secili rrugën e vet të mbrapshtë dhe unë atëherë do t’ua fal fajësinë dhe mëkatin e tyre.”

4 Atëherë Jeremia e thirri Barukun, birin e Nerisë, dhe Baruku i shkroi, gjithçka që i thoshte Jeremia, në një rrotull të gjitha fjalët e Zotit, që ia kishte thënë.

5 Atëherë Jeremia e urdhëroi Barukun e i tha: “Unë nuk kam leje të shkoj dhe nuk guxoj të shkoj në Shtëpinë e Zotit. 6 Hyr, pra, ti dhe në ditë agjërimi lexoje rrotullën në të cilën i ke shkruar fjalët e Zotit si të kam treguar unë që të dëgjojë populli në Shtëpinë e Zotit. Lexoju edhe të gjithë judenjve që vijnë prej qyteteve të tyre që edhe ata t’i dëgjojnë. 7 Ndoshta bie lutja e tyre para Zotit dhe secili kthehet nga rruga e vet e mbrapshtë; sepse i madh është zemërimi dhe hidhërimi që Zoti mendon ta zbrazë kundër këtij populli.”

8 Baruku, biri i Nerisë, bëri gjithçka i kishte urdhëruar profeti Jeremi, i lexoi në Shtëpinë e Zotit fjalët e Zotit nga rrotulla.

9 Të pestin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, të nëntin muaj, u caktua një agjërim në praninë e Zotit për mbarë popullin e Jerusalemit dhe për gjithë shumicën që ngarendte nga qytetet e Judës në Jerusalem. 10 Baruku ia lexoi mbarë popullit fjalët e Jeremisë nga rrotulla në Shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gamarisë, birit të Safanit, shkruesit, në parahyrjen e lartë, në hyrjen e Derës së Re të Shtëpisë së Zotit.

11 Kur Mikeja, biri i Gamarisë së Safanit, i dëgjoi fjalët e Zotit nga libri, 12 zbriti në pallatin e mbretit, në dhomën e shkruesit. Aty ndodheshin të gjithë prijësit: Elisama, shkruesi, Dalaja, biri i Semajës, Elnatani, biri i Ahoborit, Gamaria, biri i Safanit, Sedecia, biri i Hananisë dhe të gjithë bujarët. 13 Mikeja ua tregoi të gjitha fjalët që i dëgjoi kur Baruku ia lexoi nga rrotulla popullit.

14 Atëherë të gjithë prijësit dërguan te Baruku Judin, birin e Natanisë, e Selamin, birin e Kusit, me këto fjalë: “Merre me vete rrotullën prej së cilës i ke lexuar popullit dhe eja!” Kështu, pra, Baruku, biri i Nerisë, e mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata. 15 Ata i thanë: “Ulu e na i lexo këto gjëra!” Baruku ua lexoi. 16 Kur, pra, i dëgjuan të gjitha fjalët, mbetën shtang nga habia dhe i thanë Barukut: “Na duhet t’ia lajmërojmë mbretit të gjitha këto fjalë.” 17 E pyetën Barukun me këto fjalë: “Na trego si i ke shkruar të gjitha këto fjalë nën diktatin e tij.” 18 E Baruku iu përgjigj: “Ai m’i thoshte me gojë të gjitha këto fjalë, kurse unë i shkruaja në rrotullën me ngjyrë të zezë.” 19 Atëherë princat i thanë Barukut: “Shko e fshihu ti dhe Jeremia dhe askush të mos e dijë se ku jeni!” 20 Pasi e vendosën rrotullën në shkrojtoren e Elisamës, shkruesit, hynë në tremen e pallatit të mbretit. Ia treguan mbretit të gjitha.

21 Mbreti e dërgoi Judin të shkojë e ta sjellë rrotullën. Ky e mori nga dhoma e shkruesit Elisamë, ia lexoi mbretit dhe të gjithë bujarëve që ishin rreth mbretit. 22 Mbreti po ndodhej në banesën dimërore ‑ ishte muaji i nëntë ‑ përpara tij ishte një tangar plot me prush. 23 Kur Judi i lexonte tri ose katër shtylla, mbreti i priste me një brisk shkruesi dhe i hidhte në zjarrin, që ishte në prushore, derisa mbarë rrotulla mori fund në zjarrin e prushores. 24 As s’i kapi frika as s’i shqyen petkat as mbreti as të gjithë shërbëtorët e tij megjithëse i dëgjuan të gjitha ato fjalë. 25 Vërtet, Elnatani, Delaja e Gamaria iu lutën ngrohtësisht mbretit që të mos e digjte librin, por ai nuk i dëgjoi. 26 Atëherë mbreti e urdhëroi djalin e mbretit Jeremielit, Sarajës, birit të Azrielit edhe Selemisë, birit të Abdeelit ta kapin shkruesin Baruk e profetin Jeremi; por ata i kishte fshehur Zoti.

27 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Jeremisë, pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët, të cilat prej gojës së Jeremisë i kishte shkruar Baruku. Zoti i tha: 28 “Përsëri merre një rrotull tjetër dhe shkruaj në të të gjitha fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë, të cilën e dogji Joakimi, mbreti i Judës. 29 E për Joakimin, mbretin e Judës, thuaj: Kështu thotë Zoti: Ti e dogje atë rrotull duke thënë: ‘Pse shkrove në të e shpalle: Me siguri do të vijë mbreti i Babilonit, do ta shkretojë këtë vend dhe do të zhdukë prej faqes së tij njerëz e kafshë?’ 30 Prandaj kështu thotë Zoti kundër Joakimit, mbretit të Judës: Trashëgimtar i tij nuk do të rrijë mbi fronin e Davidit; kufoma e tij do të flaket ditën në vapë e natën në të ftohtë. 31 Do ta ndëshkoj atë, farën e tij dhe shërbëtorët e tij për shkak të fajësisë së tyre. Do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi judenjtë të gjitha të vështirat me të cilat u jam kërcënuar e nuk më dëgjuan.”

32 Jeremia mori një rrotull tjetër, ia dha Barukut, birit të Nerisë, shkruesit. Ky i shkroi në të, nën diktatin e Jeremisë, të gjitha fjalët e librit, që e dogji në zjarr Joakimi, mbreti i Judës. Për më tepër qenë shtuar edhe shumë fjalë të tjera të ngjashme me ato.

Jeremia: 37. Gjykim përmbledhës mbi Sedecinë

37

1 Sedecia, biri i Jozisë, u bë mbret në vend të Konisë, birit të Joakimit. Sedecinë e vuri mbret Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, në tokën e Judës. 2 Por as ky, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët e Zotit që i foli nëpërmjet gojës së profetit Jeremi.

Sedecia këshillohet me Jereminë për ndërprerjen e rrethimit në vitin 588

3 Mbreti Sedeci dërgoi Jukalin, djalin e Selemisë, edhe priftin Sofoni, djalin e Maasisë, te Jeremia profet me këtë porosi: “Lutju për ne Zotit, Hyjit tonë!”

4 Jeremia asohere shkonte e vinte nëpër popull i lirë; ende nuk e kishin burgosur. 5 Ndërkaq, ushtria e faraonit po depërtonte nga Egjipti e, kaldenjtë, që e rrethonin Jerusalemin, posa e morën këtë lajm, u larguan nga Jerusalemi.

6 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar profetit Jeremi: 7 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Kështu thuajini mbretit të Judës që ju dërgoi të më pyetni: Ja, ushtria e faraonit që ju erdhi në ndihmë, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt. 8 Atëherë do të kthehen kaldenjtë dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë dhe do ta djegin me zjarr. 9 Kështu thotë Zoti: Mos e rreni vetveten duke thënë: ‘Shkuan kaldenjtë e na e morën të ligën’, sepse ata nuk do të largohen. 10 Po edhe sikur t’ia dilni ta shpartalloni tërë ushtrinë e kaldenjve që luftojnë kundër jush e nëse mbesin edhe vetëm disa të plagosur, ata do të çohen prej çadrave të tyre dhe do ta djegin me zjarr këtë qytet!”

Burgimi i Jeremisë. Përmirësimi i fatit të tij

11 Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi për shkak të ushtrisë së faraonit, 12 Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Beniaminit me qëllim që të rregullojë një çështje ndarjeje të pronës me të vetët. Mirëpo, 13 kur arriti te dera e Beniaminit, në derë ishte një farë Jerie, biri i Selemisë, të birit të Hananisë, rojtar i derës. Atëherë e kapi profetin Jeremi e tha: “Ti po ikën te kaldenjtë!” 14 Jeremia iu përgjigj: “Është gënjeshtër! Unë nuk po shkoj te kaldenjtë!” Por ai s’deshi të marrë vesh, por Jeria e kapi Jereminë dhe e çoi te paria. 15 Paria u hidhëruan kundër Jeremisë, e rrahën dhe e burgosën në shtëpinë e shkruesit Jonatan: sepse atë e kishin shndërruar në burg. 16 Kështu Jeremia u fut në një sternë me hark në dhe; aty Jeremia ndenji për shumë ditë.

17 Mbreti Sedeci dërgoi për ta marrë dhe, fshehtas, në shtëpinë e vet e pyeti: “A kemi ndonjë fjalë prej Zotit?” Jeremia iu përgjigj:” Ka!”, dhe vazhdoi: “Do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit!” 18 Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeci: “Ç’gabim paskam bërë unë ndaj teje, ndaj shërbëtorëve të tu dhe ndaj këtij populli që më hodhët në burg? 19 Ku janë profetët tuaj që ju profetizonin dhe ju thonin: ‘Mbreti i Babilonit nuk do t’ju sulmojë as ju as këtë vend?’ 20 Tashti po të lutem, më dëgjo Imzot, o mbret, merre parasysh lutjen time dhe mos më rikthe në shtëpinë e Jonatanit, shkruesit, që të mos vdes atje.” 21 Këndej mbreti Sedeci urdhëroi të çohet Jeremia në oborrin e burgut, t’i jepet çdo ditë një bukë ndore e sjellë nga rruga e Furrtarëve derisa të mos ketë më bukë në qytet. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.

Jeremia: 38. Jeremia në ubël.

38

1 Por dëgjuan Safatia, biri i Matanit, Gedalia, biri i Fasurit, Jukali, biri i Selemisë dhe Fasuri, biri i Malkisë për fjalët që Jeremia ia thoshte mbarë popullit: 2 ”Kështu thotë Zoti: Kushdo që të qëndrojë në këtë qytet, do të vdesë nga shpata, uria e murtaja, ndërsa kush të ikë te kaldenjtë, do të jetojë; do të jetë i lumë që e ka shpëtuar kokën e do të jetojë. 3 Sepse kështu thotë Zoti: Me siguri ky qytet do të bjerë në duar të mbretit të Babilonit dhe ai do ta pushtojë!”

4 Atëherë paria i thanë mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua humb guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën. 5 Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duart tuaja; mbreti s’ka se si t’ju mohojë ndonjë gjë!” 6 Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litarë. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.

7 Por dëgjoi Abdemeleku etiopas, një oborrtar në pallatin e mbretit, se e kishin hedhur Jereminë në ubël. Mbreti ishte ndalur te dera e Beniaminit; 8 Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha: 9 “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!” 10 Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!”

11 Abdemeleku, si i mori me vete njerëzit, hyri në shtëpinë e mbretit, në odën që ishte nën thesar, i mori disa zhele prej petkave të vjetra, i shqeu dhe i lëshoi me litarë te Jeremia në ubël. 12 Atëherë Abdemeleku etiopian i tha Jeremisë: “Vëri këto peca e këto zhele nën sqetull e mbi to litarin!” Jeremia bëri ashtu. 13 Me litarë e nxorën Jereminë dhe e hodhën përjashta ublës. Jeremia u ndal në oborrin e burgut.

Kuvendimi i fundit i Jeremisë me Sedecinë

14 Mbreti Sedeci dërgoi dhe bëri të sillet tek ai profeti Jeremi te dera e tretë që ishte në Shtëpinë e Zotit. Mbreti i tha Jeremisë: “Dua të të pyes një fjalë, mos më fsheh asgjë!” 15 E Jeremia iu përgjigj Sedecisë: “A nuk më vret nëse ta shpall? Por në qoftë se të këshilloj, ti s’do të më dëgjosh!” 16 Prandaj mbreti Sedeci iu përbetua fshehtazi Jeremisë: “Pasha Zotin e gjallë, që na e jep këtë jetë, nuk do të të vras as nuk do të të lëshoj në duar të njerëzve që e kërkojnë kokën tënde.” 17 Atëherë Jeremia i tha Sedecisë: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse del e u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ti do ta shpëtosh kokën, ky qytet nuk do të digjet, ti dhe familja jote do të shpëtoni. 18 Por, në qoftë se nuk do të dalësh t’u dorëzohesh oficerëve të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t’u lihet në dorë kaldenjve. Ata do ta djegin me zjarr dhe ti s’do të shpëtosh prej duarve të tyre.” 19 Atëherë mbreti Sedeci i tha Jeremisë: “Jam shumë i brengosur për shkak të judenjve që kanë kaluar te kaldenjtë: kam frikë se ndoshta më lëshojnë në duar të tyre e ata më përqeshin!” 20 Por Jeremia iu përgjigj: “S’do të të dorëzojnë! Dëgjoje, po të lutem, fjalën e Zotit, që unë po ta them dhe do të jetë mirë për ty dhe do të të shpëtojë jeta. 21 Por, në qoftë se s’do të duash të dalësh, ja se ç’më ka dëftuar Zoti: 22 Ja, të gjitha gratë që ende qëndrojnë në pallatin e mbretit të Judës, do t’i çojnë te oficerët e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë:

‘Të kanë ngashnjyer e të kanë tradhtuar

njerëzit që ti u besoje;

në llom po të zhyten këmbët,

kurse ata të lanë e shkuan.’

23 Po, se të gjitha gratë e tua e të gjithë fëmijët e tu do t’i çojnë te kaldenjtë. Po as ti nuk do t’u shpëtosh duarve të tyre, por do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit, kurse këtë qytet do ta djegë.”

24 Atëherë Sedecia i tha Jeremisë: “Askush të mos i dijë këto fjalë, përndryshe do të vritesh. 25 Por, në qoftë se do ta marrin vesh dinjitarët se kam folur me ty e në qoftë se vijnë te ti e të pyesin: ‘ Na trego çka ke biseduar me mbretin, mos na fsheh gjë e nuk do të të vrasim, si edhe çka ka biseduar me ty mbreti’, 26 thuaju:’ I bëra lutje mbretit të mos urdhërojë të më kthejnë në shtëpinë e Jonatanit që të mos vdes atje. ’“

27 Vërtet shkuan të gjithë dinjitarët te Jeremia dhe e pyetën. Ai u tha të gjitha fjalët që ia kishte urdhëruar mbreti. Kështu ata e lanë në qetësi, sepse gjë s’u mor vesh prej asaj bisede.

28 Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jerusalemi.

Jeremia: 39. Fati i Jeremisë në pushtimin e Jerusalemit

39

1 Të nëntin vit të Sedecisë, mbretit të Judës, në të dhjetin muaj, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë dhe mbarë ushtria e tij te Jerusalemi dhe po e mbante të rrethuar. 2 Të njëmbëdhjetin vit të Sedecisë, në muajin e katërt, të nëntën ditë të muajit, u hap një vrimë në qytet. 3 Hynë të gjithë prijësit e mbretit të Babilonisë dhe u ndalën te dera e Mesme: Neregel Sareser, Samegar ‑ Nabu, Sarsakimi, kryekomandanti, Neregel Sereseri, kryemagjistari, dhe të gjithë prijësit e tjerë ushtarakë të mbretit të Babilonisë.

4 Kur i pa mbreti i Judës, Sedecia, e të gjithë luftëtarët e tij, u vunë në ikje e, natën, dolën prej qytetit, për rrugë të kopshtit të mbretit, nëpër derën që është ndërmjet dy mureve, dhe dolën në udhën e Arabës. 5 Por, çetat e kaldenjve i ndoqën. Sedecinë e zunë në Fushat e Jerikos dhe, pasi e kapën, e çuan te Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Reblë, që është në tokën Emat. Aty ai ia shpalli dënimin. 6 Mbreti i Babilonisë në Reblë ia preu bijtë Sedecisë ndër sy të tij; po ashtu mbreti i Babilonit e preu të gjithë parinë e Judës. 7 Pastaj Sedecisë ia nxori sytë dhe e lidhi në pranga për ta çuar në Babiloni. 8 Atëherë kaldenjtë u dhanë zjarrin pallatit të mbretit dhe shtëpive të popullit dhe i rrënuan muret e Jerusalemit. 9 Mbarë tepricën e popullit që kishte mbetur në qytet, të ikurit që kishin kaluar tek ai e mbarë tjetrin popull, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, i shpuri në Babiloni. 10 Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, skamnorët e popullit që nuk kishin kurrgjë i la në tokën e Judës dhe me atë rast u ndau vreshta e ara.

11 Lidhur me Jereminë, Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, i dha këtë urdhër Nabuzar‑ danit, kryekomandantit të rojës trupore: 12 ”Merre dhe mos m’ia ndaj sytë! Mos i bëj kurrnjë të keqe, përkundrazi bëj për të gjithçka që të dojë ai!”

13 Kështu, pra, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, Nabusezbani, kryetari i oborrtarëve, Neregel Sereseri, kryetari i magjistarëve dhe e gjithë paria e mbretit të Babilonisë, 14 çuan njerëzit dhe e sollën Jereminë nga oborri i burgut e ia dorëzuan Godolisë, birit të Ahikamit, të birit të Safanit, që ta çojë në shtëpi. Kështu Jeremia qëndroi në mes të popullit.

Profeci shpëtimprurëse për Abdemelekun

15 Ndërkohë që Jeremia ishte ende i burgosur në oborrin e burgut, fjala e Zotit i kishte qenë drejtuar kështu: 16 “Shko e thuaji Abdemelekut etiopas: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shiko, unë dua t’i çoj në vend kundër këtij qyteti fjalët e mia që sjellin të keqen e jo të mirën. Kur të sendërtohen ndër sytë e tu, atë ditë, 17 unë do të të shpëtoj po atë ditë ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe ti nuk do të lëshohesh në duart e atyre që ti ua ke frikën, 18 por me siguri unë do të të shpëtoj dhe shpata nuk do të të presë, jeta jote e shpëtuar do të jetë thuajse preja jote, sepse ti e ke vënë shpresën tënde në mua” ‑ është fjala e Zotit.

Jeremia: 40. Ende fati i Jeremisë

40

1 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë nga ana e Zotit, pasi Nabuzardani, kryekoman‑ danti i rojës trupore, e lëshoi nga Rama, kur, të lidhur në hekura, e hoqi nga mesi i atyre, që po treteshin në mërgim nga Jerusalemi e Judeja e po dërgoheshin për Babiloni.

2 Komandanti i rojës trupore, pasi e ndau veçmas Jereminë, i tha: “Zoti, Hyji yt, e ka parakallëzuar këtë të keqe kundër këtij vendi 3 dhe e çoi në vend. Zotynë bëri ashtu siç ka thënë, sepse mëkatuat kundër Zotit e nuk e dëgjuat zërin e tij, këndej edhe ju erdhi kjo e keqe. 4 Tashti, ja, unë po të liroj sot nga hekurat me të cilat të kishin lidhur duarsh. Nëse të pëlqen të më shoqërosh në Babilon, eja: sytë e mi do të kujdesen për ty, por, në qoftë se nuk të pëlqen të vish me mua në Babilon, rri këtu. Ja, mbarë vendi është i hapur për ty: shko ku të zgjedhësh ti e ku ty të të pëlqejë.” 5 Ende pa nisur të kthehet, i tha: “Kthehu te Godolia, biri i Ahikamit, birit të Safanit, të cilin mbreti i Babilonisë e bëri kryetarin e qyteteve të Judës; bano, pra, me të në mesin e popullit ose shko gjithkund që të të pëlqejë të shkosh.” Kryekomandanti i rojës trupore i dha ushqime e dhurata dhe e la të lirë. 6 Jeremia atëherë u drejtua për Masfë te Godolia, biri i Ahikamit, dhe banoi me të në mes të popullit që kishte mbetur në vend.

Godolia mëkëmbës: vrasja e tij

7 Kur krerët e ushtrisë, që ishin arratisur nëpër krahina, edhe njerëzit e tyre, morën vesh se mbreti i Babilonit e kishte vënë Godolinë, birin e Ahikamit, mëkëmbës të vendit dhe se ia kishte lënë në kujdes burra e gra e fëmijë dhe skamnorët e vendit që nuk kishin qenë shpërngulur në Babilon, 8 erdhën në Masfë te Godolia: d. m. th. Ismaeli, biri i Natanisë, Johanani e Jonatani, bijtë e Kareesë, Sareasi, biri i Tanehumetit, të bijtë e Ofiut që ishin nga Netofa, Jezonia, biri i Maakatit, erdhën pra, ata dhe njerëzit e tyre. 9 Godolia, biri i Ahikamit, të birit të Safanit, u bëri këtë përbetim atyre dhe shoqëruesve të tyre: “Mos kini frikë t’u shërbeni kaldenjve. Banoni në vend dhe shërbejini mbretit të Babilonisë, dhe do të jeni mirë. 10 Ja, unë banoj në Masfë porsi përgjegjës kaldenjve që vijnë ndër ne. Ju vilni vreshtat, mblidhni të korrat dhe ullinjtë, vendosini në enët tuaja dhe qëndroni në qytetet tuaja që i keni pushtuar.”

11 Po ashtu edhe të gjithë judenjtë, që ishin në Moab e ndër bijtë e Amonit, në Edom dhe në çdo krahinë, si morën vesh se mbreti i Babilonisë e kishte lënë një tepricë në Jude dhe se qeveritar mbi ta kishte vënë Godolinë, birin e Ahikam Safanit, 12 u kthyen, pra, të gjithë judenjtë nga çdo vend, ku ishin arratisur dhe u rikthyen në tokën e Judesë te Godolia, në Masfë, dhe prodhuan verë e të korra shumë të begatshme.

13 Mirëpo, Johanani, biri i Koreesë, si dhe të gjithë prijësit e ushtrisë, që kishin qenë shpërndarë nëpër krahina, shkuan te Godolia në Masfë 14 dhe i thanë: “Dije se Baali, mbreti i amonëve, e ka dërguar Ismaelin, birin e Natanisë, për ta marrë shpirtin tënd, ” por Godolia, biri i Ahikamit, nuk u besoi. 15 Atëherë Johanani, biri i Kareesë, i tha Godolisë në Masfë vetëm për vetëm: “Po shkoj e po e vras Ismaelin, birin e Natanisë, në moh, që ai të mos të të vrasë ty e të mos shpërndahen judenjtë që janë bashkuar rreth teje e të mos sharrojë teprica e Judës.” 16 Por Godolia, biri i Ahikamit, i tha Johananit, birit të Kareesë: “Ruaju se e bën atë gjë! Sepse është gënjeshtër çka po thua për Ismaelin.”

Jeremia: 41. biri i Natanisë

41

1 Dhe të shtatin muaj erdhi Ismaeli, biri i Natanisë, të birit të Elisamës, nga fara mbretërore dhe një nga mbarështuesit e lartë të mbretit, dhe me të edhe dhjetë burra, te Godolia, biri i Ahikamit në Masfë. Aty edhe hëngrën bukë së bashku në Masfë. 2 Por Ismaeli, biri i Natanisë, dhe dhjetë burrat, që ishin me të, u ngritën, e goditën me shpatë Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit; e vranë atë që mbreti i Babilonit e kishte bërë të parin e vendit. 3 Ismaeli i vrau gjithashtu edhe të gjithë judenjtë që ishin me Godolinë në Masfë, si dhe kaldenjtë që u gjendën aty e ishin ushtarë.

4 Të nesërmen, pasi u vra Godolia dhe askush ende nuk e dinte, 5 erdhën disa njerëz nga Sikemi, nga Siloja e nga Samaria, tetëdhjetë burra, me mjekërr të rruar, me petka të shqyera, me gërvishtje në trup, sillnin në duar kushte e kem për t’i flijuar në Shtëpinë e Zotit. 6 Ismaeli, biri i Natanisë, doli nga Masfa për t’i takuar. Ecte rrugës duke qarë. Kur u takua me ta, u tha: “Ejani te Godolia, biri i Ahikamit.” 7 Kur ata arritën në mes të qytetit, Ismaeli, biri i Natanisë, i preu, dhe ai, me njerëzit që ishin me të, i hodhi në sternë. 8 Ndër ta u gjetën dhjetë vetë që i thanë Ismaelit: “Mos na mbyt, sepse kemi në ara ushqime rezervë të fshehura: grurë, elb, vaj e mjaltë”. Ai atëherë hoqi dorë e nuk i vrau ata as vëllezërit e tyre. 9 Sterna, në të cilën Ismaeli i kishte hedhur kufomat e njerëzve, që i vrau, është sterna e madhe që e punoi mbreti Asë kundër Baasës, mbretit të Izraelit. Liqethin Ismaeli, biri i Natanisë, e mbushi me të vrarë. 10 Atëherë Ismaeli e mori me vete tepricën e popullit që ishte në Masfë, bijat e mbretit dhe mbarë popullin që kishte mbetur në Masfë, të cilët Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, ia kishte lënë nën kujdes Godolisë, birit të Ahikamit; Ismaeli, biri i Natanisë, i mori me vete dhe u nis për të kaluar te bijtë e Amonit.

11 Por dëgjoi Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të për këtë kërdi të madhe që e kishte bërë Ismaeli, biri i Natanisë, 12 i morën të gjithë njerëzit e vet, u nisën të luftojnë kundër Ismaelit, birit të Natanisë. E gjetën tek Ujërat e Mëdha që janë në Gabaon. 13 Mbarë populli që ishte me Ismaelin, kur e pa Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, u gëzuan shumë. 14 Atëherë mbarë populli që Ismaeli e kishte marrë rob në Masfë, u kthye e shkoi te Johanani, biri i Kareesë. 15 Por Ismaeli, biri i Natanisë, me tetë vetë iku para syve të Johananit dhe kaloi ndër amonë. 16 Atëherë Johanani, biri i Kareesë, e oficerët që ishin me të, i morën tepricat e popullit që i kishte marrë robër Ismaeli, biri i Natanisë, nga Masfa, pasi e pati vrarë Godolinë, birin e Ahikamit: trima, gra, fëmijë e oborrtarë, të cilët u kthyen nga Gabaoni. 17 U nisën për rrugë e zunë vend në Gerutkamaam, që është afër Betlehemit. Aty pushuan pak, sepse kishin për qëllim që të vazhdonin udhën për të kaluar në Egjipt 18 larg nga kaldenjtë. Vërtet, i druanin kaldenjtë, sepse Ismaeli, biri i Natanisë, e kishte vrarë Godolinë, birin e Ahikamit, të cilin mbreti i Babilonisë e kishte bërë qeveritar të vendit.

Jeremia: 42. Ikja në Egjipt

42

1 Atëherë të gjithë oficerët, d. m. th. Johanani, biri i Kareesë, Jezania, biri i Osajasë, edhe mbarë vegjëlia, prej më të voglit e deri në më të madhin, u paraqitën 2 dhe i thanë profetit Jeremi: “Deh të të pëlqejë lutja jonë! Lute për ne Zotin, Hyjin tënd, për këtë tepricë, sepse prej një shumice të madhe kemi mbetur, siç po sheh, një pakicë. 3 Le të na e dëftojë Zoti, Hyji yt, udhën që duhet të marrim dhe ç’duhet të bëjmë.”

4 Atëherë profeti Jeremi u tha: “Ju mora vesh! Ja, unë po i lutem Zotit, Hyjit tuaj, ashtu si ju po kërkoni; çdo fjalë që Zoti, Hyji juaj, do të më përgjigjet, unë do t’jua tregoj dhe asgjë nuk do t’ju fsheh.” 5 Ata i thanë Jeremisë: “Dëshmitar të vërtetë dhe besnik e paçim Zotin kundër nesh, në qoftë se nuk do të bëjmë ashtu si Zoti, Hyji yt, të të thotë të veprojmë me anën tënde. 6 Si në na pëlqeftë, si në mos na pëlqeftë, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na sillet mbarë pse do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë.”

7 Kur u mbushën dhjetë ditë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë. 8 Atëherë ai e thirri Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, si edhe të gjithë popullin prej më të voglit e deri në më të madhin. 9 U tha:

“Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, tek i cili më dërguat që t’i shtroj uratët tuaja para tij: 10 Nëse do të vazhdoni të banoni në këtë vend në qetësi, unë do t’ju ndërtoj e nuk do t’ju shkatërroj, do t’ju mbëltoj e nuk do t’ju çrrënjos, sepse më vjen keq për të këqijat që jua kam bërë. 11 Mos e druani mbretin e Babilonisë, para të cilit të frikësuar dridheni. Aspak mos e kini frikë ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse unë jam me ju që t’ju shpëtoj e t’ju nxjerr nga dora e tij. 12 Unë do të bëj që ju të gjeni hir para tij dhe ai do të ketë dhimbje për ju e do t’ju lërë të jetoni në tokën tuaj. 13 Por, bëtë e thatë: ‘Nuk do të banojmë në këtë vend’, dhe nëse s’do ta dëgjoni zërin e Zotit, Hyjit tuaj 14 e thoni: ‘Assesi, por do të shkojmë në tokën e Egjiptit, ku nuk do të shohim luftë as s’do të dëgjojmë zërin e borisë, ku s’do ta sprovojmë urinë: atje do të banojmë’; 15 atëherë, mirë, për këtë gjë ‑ dëgjojeni fjalën e Zotit ‑ Teprica e Judës! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse vërtet mendoni të shkoni në Egjipt, dhe nëse shkoni atje për të jetuar, 16 atëherë shpata që e druani do t’ju gjejë atje në tokën e Egjiptit, po edhe uria, së cilës po ia keni drojën, do t’ju ngjeshet në Egjipt, dhe atje do të vdisni. 17 Të gjithë ata që do të vendosin të shkojnë në Egjipt për të jetuar atje si endacakë, do të vdesin atje nga shpata, uria e murtaja: askush prej tyre s’do të shpëtojë as s’do të mund t’i shmanget të keqes që do ta çoj mbi ta. 18 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Siç u zbraz furia ime dhe zemërimi im mbi jerusalemas, po ashtu do të zbrazet zemërimi im mbi ju, kur të keni hyrë në Egjipt: do të bëheni mallkim, emnesë, nëmë e turp dhe kurrën e kurrës më s’do ta shihni këtë vend.”

19 Fjala e Zotit mbi ju, Tepricat e Judës! Ruajuni se shkoni në Egjipt! Mirë ta dini se unë jam sot dëshmitar kundër jush! 20 Ju vetë po e vini në rrezik jetën tuaj! Sepse ju më çuat te Zoti, Hyji ynë, e më thatë: ‘Lutu për ne te Zoti, Hyji ynë, dhe gjithsesi të ketë thënë Zoti, Hyji ynë, ashtu ti na trego e ne do ta zbatojmë.’ 21 Unë sot ju vura në dijeni, por ju s’e dëgjuat zërin e Zotit, Hyjit tuaj, s’dëgjoni asgjë prej atyre që më dërgoi t’jua them. 22 Tashti mund të jeni të sigurt se do të vdisni nga shpata, uria e murtaja në atë vend që deshët të hyni e të jetoni të strehuar.”

Jeremia: 43. Jeremia parakallëzon pushtimin e Egjiptit prej Nabukodonozorit

43

1 Posa Jeremia ia tha mbarë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Hyjit të tyre, të gjitha ato fjalë për të cilat e kishte dërguar Zoti, Hyji i tyre, për t’ua thënë, 2 Azaria, biri i Ozaisë, Johanani, biri i Kareesë, e të gjithë ata njerëz, krenarë e kryengritës, i thanë Jeremisë: “Ti po na rren! Zoti, Hyji ynë, nuk të dërgoi të na thuash: ‘Mos shkoni në Egjipt për t’u strehuar atje!’, 3 por Baruku, biri i Nerisë, të ngacmon kundër nesh, që të na lëshojë në duar të kaldenjve për të na vrarë e për të na tretur në Babilon.”

4 Johanani, biri i Kareesë, të gjithë oficerët dhe mbarë populli nuk e dëgjuan zërin e Zotit që të qëndroni në tokën e Judesë. 5 Por Johanani, biri i Kareesë, dhe të gjithë oficerët morën mbarë tepricën e Judës, që ishin kthyer nga të gjitha vendet, ku më parë kishin qenë shpërndarë, që më vonë të ktheheshin në tokën e Judës: 6 burra e gra, të vegjlit e bijat e mbretit dhe çdo njeri që e kishte lënë Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, me Godolinë, birin e Ahikamit, të birit të Safanit. Morën edhe Jereminë profet edhe Barukun, birin e Nerisë, 7 dhe hynë në tokën e Egjiptit, sepse nuk e dëgjuan zërin e Zotit. Kështu arritën në Tafnis.

Jeremia parakallëzon pushtimin e Egjiptit prej Nabukodonozorit

8 Fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë në Tafnis: 9 “Merr gurë të mëdhenj dhe fshehi në llaç ndër sy të judenjve në kalldrëmin që është para derës së shtëpisë së faraonit në Tafnis 10 e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do ta dërgoj e do ta marr mbretin e Babilonisë, Nabukodonozorin, shërbëtorin tim, dhe fronin e tij do ta vendos mbi këta gurë që i fsheha; ai do ta vendosë selinë e vet mbi ta. 11 Do të vijë e do ta godasë tokën e Egjiptit:

Kush të jetë për vdekje, në vdekje!

Kush të jetë për mërgim, në mërgim!

Kush të jetë për shpatë, në shpatë!

12 Me zjarr do t’i shkrumbojë tempujt e zotave të Egjiptit, do t’i djegë, e do t’i dëbojë në mërgim zotat dhe do ta shkundë tokën e Egjiptit siç e shkund bariu për ta pastruar prej morrave leshnikun e vet e prej andej do të dalë pa i hyrë ferrë në këmbë. 13 Copë e grimë do t’i bëj truporet e tempullit të Diellit, që janë në dheun e Egjiptit, me zjarr do t’i shkrumboj faltoret e zotave të Egjiptit.”

Jeremia: 44. Shërbesa e fundit e Jeremisë: judenjtë në Egjipt dhe Mbretëresha e Qiellit

44

1 Fjala që u qe drejtuar të gjithë judenjve që banonin në tokën e Egjiptit, banorëve të Magdolos, të Tafnisit, të Memfisit dhe në tokën e Faturesit me gojë të Jeremisë. Thoshte: 2 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ju e patë të gjithë të keqen që e solla mbi Jerusalem dhe mbi të gjitha qytetet e Judës: ja, sot janë një rrënojë pa banorë 3 për shkak të fajit që bënë duke më ngacmuar e duke shkuar për t’u flijuar e për t’i adhuruar hyjnitë e huaja, të cilat s’i njihnin as ata, as ju, as të parët tuaj. 4 Unë ju kam dërguar pa u mërzitur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, e ju thosha: ‘Mos e bëni këtë paturpësi që e urrej!’ 5 Por nuk dëgjuan as nuk më vunë aspak vesh të kthehen prej të këqijave të veta dhe të mos u flijojnë hyjnive të huaja. 6 Atëherë u zbraz furia ime e zemërimi im dhe mori flakë në qytetet e Judës dhe në sheshet e Jerusalemit dhe ato u shndërruan në shkretëtirë e shkretëtim siç janë sot!

7 Edhe tashti kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Po përse bëni kundër vetvetes një të keqe kaq të madhe, sa që bëni të sharrojë prej barkut të Judës burrë e grua, fëmijë e ferishte që të mos ju mbesë një Tepricë, 8 pasi më ngacmoni me veprat e duarve tuaja duke u flijuar hyjnive të huaja në tokën e Egjiptit, në të cilën hytë për t’u strehuar? Fara do t’ju tresë e do të bëheni shenjë mallkimi dhe turpi për të gjithë popujt e tokës. 9 Pse a i harruat, vallë, të këqijat e etërve tuaj, të këqijat e mbretërve të Judës, të grave të tyre, të këqijat tuaja e të grave tuaja, që i bënë në tokën e Judës e në sheshet e Jerusalemit? 10 Nuk u penduan deri në ditën e sotme, as nuk u trembën, as nuk ecën në Ligjin tim e në urdhërime të mia, që unë i shpalla ndër sytë tuaj e të të parëve tuaj.

11 Prandaj, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do ta kthej faqen time kundër jush për të keqen tuaj dhe do ta shpërndaj mbarë Judën. 12 Do ta marr tepricën e Judës që vendosi të hyjë në tokën e Egjiptit për t’u strehuar aty, fara do t’u shuhet të gjithëve në dheun e Egjiptit: do të bien prej shpatës e urisë, do të zhduken prej më të voglit e deri në më të madhin, prej shpatës e urisë do ta gjejnë vdekjen. Do të jenë shenjë nëme, tmerri, mallkimi dhe turpi. 13 Do t’i ndëshkoj të gjithë ata që banojnë në Egjipt, siç e ndëshkova Jerusalemin: me shpatë, me uri e me murtajë. 14 Askush s’do të shpëtojë i gjallë dhe s’do të mbesë prej Tepricës së judenjve, që erdhën të strehohen në tokën e Egjiptit për t’u kthyer në tokën e Judës, për të cilën u lëngon zemra të kthehen e të banojnë atje. Më s’do të kthehen, përveç ndonjërit që do të ikë.”

15 Atëherë të gjithë njerëzit që dinin se gratë e tyre u flijonin hyjnive të huaja ‑ madje të gjitha gratë e pranishme në një numër të madh ‑ si dhe mbarë populli që banonte në tokën e Egjiptit në Fatures, iu përgjigjën Jeremisë e i thanë: 16 “Fjalët që na i the në emër të Zotit, nuk do t’i dëgjojmë, 17 madje me vendosmëri do të vazhdojmë të bëjmë siç e kemi dhënë fjalën: do t’i flijojmë Mbretëreshës së Qiellit dhe do t’i njomim fli njomjeje, siç bëmë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe prijësit tanë në qytetet e Judës e në sheshet e Jerusalemit: kishim bukë me mbushullim, ishim mirë dhe nuk pamë të këqija. 18 Që kur nisëm të mos i kushtojmë fli kemi dhe fli njomjeje Mbretëreshës së Qiellit, gjithçka po na mungon, e po na e humb farën shpata e uria.

19 Kur ne i flijojmë Mbretëreshës së Qiellit dhe i njomim njomje, a thua se kur i gatuam kuleç në shëmbëlltyrën e saj dhe i kushtuam fli njomjeje e bëmë pa dijen e burrave tanë?”

20 Atëherë Jeremia i shpalli mbarë popullit, burrave e grave dhe mbarë atyre që i folën kështu, këtë përgjigje. U tha: 21 A thua nuk i ka rënë ndërmend Zotit kemi që e kushtuat në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, ju e etërit tuaj, mbretërit tuaj dhe të parët e vendit tuaj dhe populli i vendit, thua kjo nuk e preku në zemër? 22 Zoti nuk mundi të durojë më për shkak të veprave tuaja të këqija e për shkak të turpësive që bëtë. Kështu toka juaj u shndërrua në shkretëtirë, në tmerr e në mallkim, pa banorë siç është sot. 23 Pse ju kushtuat kem e mëkatuat kundër Zotit duke mos e dëgjuar zërin e Zotit, pse nuk ecët në Ligjin e tij, në urdhërimet dhe në rregulloret e tij, këndej edhe ju gjetën këto të këqija, si sot.”

24 Atëherë Jeremia iu drejtua mbarë popullit dhe të gjitha grave: “Dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju, o judenj, që jeni në tokën e Egjiptit. 25 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ju dhe gratë tuaja folët me gojën tuaj dhe e zbatuat me duart tuaja; thatë: ‘T’i çojmë në vend kushtet që kushtuam: t’i flijojmë Mbretëreshës së Qiellit e t’i njomim fli njomjeje.’ Kryeni kushtet tuaja dhe bëjini vepër! 26 Porse, o judenj që jetoni në tokën e Egjiptit, dëgjojeni fjalën e Zotit: Unë po përbetohem me emrin tim të madh ‑ është fjala e Zotit ‑ emri im kurrë më nuk do të përmendet prej gojës së asnjë judeu në mbarë tokën e Egjiptit, asnjë s’do të thotë: ‘Pasha jetën e Zotit Hyj!’ 27 Ja, unë do t’i vërej me kujdes për të zezën e tyre e jo për të mirën: judenjtë që janë në tokën e Egjiptit do të shuhen prej shpatës e urisë derisa të zhduken krejtësisht. 28 Shumë pak do të jenë ata që do t’i shpëtojnë shpatës e do të kthehen nga toka e Egjiptit në tokën e Judës, kështu do ta kuptojnë të gjitha tepricat e Judës, që hynë në tokën e Egjiptit për t’u strehuar aty, fjala e kujt do të shkojë në vend, e imja apo e tyrja.

29 Dhe, ja, për ju shenja ‑ thotë Zoti ‑ se do t’ju ndëshkoj në këtë vend, që ta dini se vërtet do të shkojnë në vend fjalët e mia kundër jush e për të zezën tuaj. 30 Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta lë faraonin Ofree, mbretin e Egjiptit, në duart e armiqëve të tij dhe në duar të atyre që e kërkojnë jetën e tij, po ashtu siç e lëshova Sedecinë, mbretin e Judës, në dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, armikut të tij që kërkonte kokën e tij.”

Jeremia: 45. Fjala e ngushëllimit për Barukun

45

1 Fjala që ia drejtoi profeti Jeremi Barukut, birit të Nerisë, kur i shkroi këto fjalë në libër sipas diktatit të Jeremisë, në vitin e katërt të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës: 2 Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, në lidhje me ty, o Baruk. 3 Ti vetë the: ‘Vaj për mua të mjerin, që Zoti po i shton trishtimit tim dhimbje! U këputa duke dënesur e, megjithatë, nuk mund të gjej pushim!’ 4 Kështu thuaji atij: Kështu thotë Zoti: Çka kam ndërtuar, unë e rrënoj e, çka kam mbjellë, unë e çrrënjos ‑ mbarë këtë tokë! 5 E ti kërkon për ty punë të mëdha? Mos i kërko! Ja, unë do të sjell mjerim mbi çdo njeri ‑ është fjala e Zotit ‑por ty do ta dhuroj jetën tënde si pre në çdo vend që të jesh e kudo që të shkosh!”

Jeremia: 46. Pjese profecish

46

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi kundër popujve.

Profeci kundër Egjiptit. Humbja në Karkamis

2 Kundër Egjiptit.

Kundër ushtrisë së faraonit Nekao, mbretit të Egjiptit, që ishte përbri lumit Eufrat në Karkamis, të cilën e shpartalloi Nabukodono‑ zori, mbreti i Babilonisë, në vitin e katërt të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës.

3 Bëni gati shqyt edhe mburojë:

përpara, bini në luftë!

4 Mbërtheni kuajt!

Në shala, kalorës!

Rreshtohuni me përkrenare në kokë!

Le t’ju shkëlqejnë heshtat!

Vishni pancirët!

5 Çka kështu?

Po shoh se u trembën,

shpinën e sollën!

Trimat e tyre ranë të prerë,

ikin kah u bëjnë sytë dritë,

prapa nuk sillen.

Tmerr gjithkah

‑ është fjala e Zotit!

6 As këmbëshpejti s’mund të ikë,

as trimi s’shpëton dot kokën!

Në Veri, në brigjet e Eufratit

të mundur rrah bien!

7 Kush është ai që ngritet porsi Nili,

ujërat e të cilit ushtojnë

porsi përrenjtë kuq e turbullt?

8 Është Egjipti që vërshon si Nili,

valët e tij lëvizin porsi përrenjtë.

Ai thotë: ‘Do të fryhem, do ta vërshoj tokën,

do të shkretoj qytet e banorë të tij!’

9 Suluni, kuaj!

Përpara me furi karroca!

Përpara, o trima:

etiopas e putas, mjeshtër me shqyt,

ju, ludas, që me hark shigjetoni!

10 Por kjo është dita e Zotit,

e Hyjit të Ushtrive, dita e hakmarrjes,

që të hakmerret mbi armiqtë e vet.

Përpin shpata e ngopet,

dehet me gjakun e tyre:

sepse Zoti, Hyji i Ushtrive,

ka therje kurbanesh

në tokën e Veriut,

përbri lumit Eufrat!

11 Dil në Galaad e kërko balsam,

o virgjër, bija e Egjiptit!

Kot mbledh barna gjithfarësh,

plaga s’do të të shërohet.

12 Dëgjuan popujt për turpin tënd,

gjëma jote e mbushi dheun mbarë,

sepse kur trimi me trimin haset,

njëri dhe tjetri vdekur përdhe përplaset.

Pushtimi i Egjiptit

13 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi se Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, do ta godiste tokën e Egjiptit.

14 Lajmëroni Egjiptin,

njoftoni në Magdolo,

le të ndihet në Memfis e në Tafnis;

thoni: Në këmbë e bëju gati!

Sepse shpata përpiu

gjithçka është rreth teje!

15 Pse u rrëzua i Forti yt?

S’mundi të qëndrojë në këmbë,

sepse Zotynë e flaku për dhe!

16 Me shumicë njerëzit i rrëzon,

rrah për tokë bie njëri në tjetrin

e gërthasin: “Çohu!

Të kthehemi te populli ynë,

në tokën e vendlindjes sonë,

larg nga shpata e pamëshirë!”

17 Quajeni faraonin, mbretin e Egjipit:

‘Stuhi pas kohës së duhur!’

18 Pasha jetën time ‑ thotë Mbreti,

emri i të cilit është Zoti i Ushtrive,

sepse, porsi Tabori ndër male,

porsi Karmeli në bregdet,

po vjen njëri!

19 Bëj gati çaklat për shpërngulje,

bija e martuar e Egjiptit,

se Memfisi shkretëtirë do të bëhet,

e shpartalluar, pa banorë!

20 Mëshqerrë e bukur, e hijshme ishte Egjipti,

por iu sul nga Veriu zekthi!

21 Mercenarët e tij,

që në të endeshin porsi mëzetër të majmë,

ia kthyen shpinën, së bashku po ikin,

ballë s’janë të zotët assesi të bëjnë,

se erdhi dita e vrasjes së tyre,

u erdhi koha e ndëshkimit.

22 Zëri i tij vishkëllimë e gjarprit!

Ja, po vijnë turr me ushtri,

me sëpata në të po sulen,

porsi druvarë të vërtetë!

23 Ja, rrëzuan pyllin ‑ është fjala e Zotit ‑ që nuk mund të llogaritet.

Janë më shumë se karkalecat,

burrë nuk del që t’i numërojë!

24 E mbuloi turpi bijën e Egjiptit,

ra në dorë të popullit të Veriut!

25 Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, thotë: “Ja, unë do ta ndëshkoj Amonin, e Nos, faraonin, Egjiptin, zotat e tij, mbretërit e tij, faraonin e ata që e vunë besimin e vet në të. 26 Do t’i lëshoj në dorë të atyre që kërkojnë t’ua marrin kokën, në dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të shërbëtorëve të tij. Pastaj Egjipti do të banohet si në kohën e mëparshme ‑ është fjala e Zotit.

27 Por ti mos druaj, Jakob, shërbëtori im,

mos ki frikë, o Izrael!

Ja, unë do të të shpëtoj prej së largu,

farën tënde nga toka e skllavërisë.

Jakobi në paqe do të kthehet,

i sigurt do të jetë,

kush më s’do ta trembë!

28 Mos druaj, Jakob, shërbëtori im,

‑ është fjala e Zotit ‑

sepse unë jam me ty:

do t’i shfaros të gjithë popujt

ndër të cilët unë të pata tretur,

kurse ty unë nuk do të të zhduk,

por me masë unë do të të ndëshkoj,

pa të ndëshkuar krejtësisht s’do të të lë.”

Jeremia: 47. Profeci kundër filistinëve

47

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi kundër filistinëve para se faraoni ta pushtonte Gazën.

2 Kështu thotë Zoti:

“Ja, po fryhen ujërat nga Veriu

porsi përroi kur ame del,

vërshojnë tokën e çka është mbi të,

qytetet e banorët e tyre!

Njerëzit të madhe do të gërthasin,

ulërijnë të gjithë banuesit e tokës

3 nga krisma e thundërzave të kuajve të tij të fortë,

nga rropama e karrocave të tij,

nga ushtima e rrotave të tij.

Etërit më për fëmijët e vet s’shikojnë,

duart e tyre pa fuqi kanë mbetur,

4 pse arriti dita e shfarosjes së të gjithë filistinëve,

kur Tirit e Sidonit do t’i zhduket

edhe më i sprasmi ndihmës:

po Zoti po i asgjëson filistinët,

tepricat e ujëdhesës Kaftor.

5 Rruar kokën e ka Gaza,

vër me gojë s’bën Askaloni!

Ju tepricat e enacimëve,

der’kur fytyrën do të gërvishtni?

6 Eheu, shpata e Tenzot,

deri kur nuk do të pushosh?

Kthehu në mill, pusho e hesht!

7 Si të pushojë kur Zoti e urdhëroi

të veprojë kundër Askalonit,

kundër brigjeve bregdetare,

aty Ai i shënoi cakun!

Jeremia: 48. Profeci kundër Moabit

48

1 Kundër Moabit.

Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit:

“Vaj për Nabon: u shkretua e u marrua!

U pushtua Kariataimi,

u turpërua kalaja e u trand!

2 Më galdim në Moab s’do të ketë!

Në Hesobon i sendërgjojnë të zezën:

“Ejani ta shfarosim nga popujt!”

Ti Madmenë, do të shpartallohesh,

këmba‑këmbës shpata po të ndjek!

3 Ndihen britma nga Oronaimi:

“Shkatërrim! Rrënim i madh!

4 Rrafsh me tokë u bë Moabi!”

Ndihet vigma e fëmijëve në Segor.

5 Marrin përpjetën e Luitit,

i ngjiten malit duke qarë,

sepse në zbritjen e Oronaimit,

ndien armiku klithmat e humbjes:

6 “Ikni, shpëtoni kokën,

do të jeni si marena në shkretëtirë.”

7 Pasi e vure tërë shpresën tënde

në vepra të tua e në visaret e tua,

edhe ti, po, do të pushtohesh.

Kamosi do të shkojë në mërgim

me priftërinj e me të parë së bashku.

8 Në çdo qytet do të vijë shkretuesi,

s’ka qytet që do të shpëtojë;

fushë e bjeshkë do të rrënohen, do të përmbysen

‑ sepse kështu shpalli Zotynë!

9 Jepi Moabit krahë për fluturim,

se qytetet iu shkretuan:

s’mbeti kush ndër to të banojë.

10 Mallkuar qoftë kush e kryen

me pakujdesi veprën e Zotit!

Mallkuar qoftë kush s’e njomë

shpatën e vet me gjak!

11 I qetë jetoi Moabi që në rini,

ai pushoi në draun e vet,

s’u kalua nga vozga në vozgë

kurrë s’qe humbur në internim;

ndaj e ruajti shijen e vet,

s’u ndërrua fare era e tij.

12 Porse, ja, ditët po vijnë ‑ është fjala e Zotit ‑ do t’i dërgoj shtypës që do ta nxjerrin nga një vozgë në një tjetër dhe do ta kalojnë nga një enë në tjetrën dhe enët e tyre do t’i thyejnë. 13 Atëherë Moabit do t’i vijë turp për shkak të Kamosit, siç u turpërua shtëpia e Izraelit për shkak të Betelit, në të cilin e kishte vënë gjithë shpresën.

14 Si mund të thoni: “Jemi trima,

jemi trima luftëtarë?

15 Rrafsh me tokë u bë Moabi,

po sulmohen qytetet e tij,

lulja e rinisë po i zbret në thertore

‑ është fjala e Mbretit,

që emrin Zot i Ushtrive e ka.

16 Po afrohet rrënimi i Moabit,

me hapa të shpejtë po vjen e keqja.

17 Qajeni, o ju të gjithë,

si fqinjtë e tij që jeni;

ju të gjithë që emrin ia dini, thoni:

‘Si u thye shkopi i fortë,

skeptri i tij i lavdishëm?!’

18 Zbrit nga lavdia jote e ulu në baltë,

banuese, bija e Dibonit,

se po të sulet shkatërruesi i Moabit,

i shpartalloi të tëra fortesat e tua.

19 Rri në udhë e vështro,

banuesja e Aroerit!

Pyeti të ikurit e ata që shpëtuan!

Thuaju: ‘Ç’ndodhi kështu?’

20 U turpërua Moabi, sepse u mund!

Uluritni edhe klithni!

Lajmërojeni Arnonin

se Moabi u shkretua.

21 Erdhi gjyqi kundër Rrafshnaltit, kundër Helonit, kundër Jasës e kundër Mefaatit, 22 kundër Dibonit, Nabos e Betdeblataimit, 23 kundër Kariataimit, Betgamulit e Betmaonit, 24 kundër Kariotit, Bosrës dhe kundër të gjitha qyteteve të tokës së Moabit, atje ku janë.

25 “Iu këput briri Moabit,

iu thye krahu Moabit.”

‑ është fjala e Zotit.

26 Deheni Moabin se u ngrit kundër Zotit; Moabi tani le të zhgërryhet në të vjellat e veta, edhe ai le të jetë i përqeshur. 27 Vallë a s’qe për ty edhe Izraeli shkak përqeshjeje? Pse a u gjet edhe ai ndër vjedhës, që sa herë flisje kundër tij, tundje kokën?

28 Largohuni nga qytetet e banoni ndër qeta,

o banorët e Moabit!

Përngjajini pëllumbit që e ndërton çerdhen

në faqet e humnerës së frikshme.

29 Dëgjuam për krenarinë e Moabit:

e teproi më me krenari;

ia pamë krenarinë e arrogancën,

madhështinë e krenarinë e zemrës!

30 E njoh mirë lavdërimin e tij ‑ është fjala e Zotit ‑ dërdëllisjet e tij të pathemelta, punët e mëdha që kurrë s’i bëri! 31 Prandaj, Moabit po ia bëj gjëmën, po i vajtoj mbarë Moabasit, do të qaj për burrat e Kiraresetit.

32 Gjëmë më të madhe se mbi Jazer,

do të bëj gjëmë mbi ty,

o hardhia e Sabamës!

Pinjollët e tu e kaluan detin,

arritën deri në Jazer!

Mbi të korrat e vjeljen tënde

u vërsul shkatërrimtari.

33 U zhduk gëzimi e hareja

prej pemishtes e tokës së Moabit.

Nga shtrydhësi verën e zhduka,

shtrydhësi i rrushit askurrë më,

këngët e gëzueshme të zakonshme s’do t’i këndojë!

34 Kushtrimi i Hesebonit dëgjohet deri në Eleale; zëri i tyre arrin deri në Jasa, nga Segori deri në Oronaim, deri në Eglatselisiam. Edhe ujërat e Nimrimit krejtësisht do të prishen.

35 Do të zhduk nga Moabi ‑ është fjala e Zotit ‑ atë që do të kushtojë në lartësi dhe atë që kem u djeg hyjnive të tij.

36 Prandaj zemra ime më dridhet për Moabin porsi dridhet fyelli; shpirti im dridhet si fyelli për burrat e Kirharesetit: sepse humbën fitesën që kishin bërë. 37 Çdo kokë do të shoget e çdo mjekërr do të rruhet, çdo dorë do të gërvishtet e çdo ijë me grathore do të vishet. 38 Mbi çdo pullaz të Moabit e në çdo shesh të tij kudo vajtime, sepse e copëtova Moabin porsi një shtambë që askujt s’i vlen gjë ‑ është fjala e Zotit.

39 Po si u ndrydh! Se ç’u bë copë e grimë! Se ç’u turpërua Moabi e u vu në ikje?! Moabi u bë lojë dhe përqeshje për të gjithë fqinjtë e tij.

40 Sepse kështu thotë Zoti:

Ja, thua se shqiponja u lëshua fluturim,

mbi Moabin i shtrin krahët e vet!

41 Qytetet u pushtuan,

u morën kështjellat.

Zemra e trimave të Moabit atë ditë

porsi zemra e gruas në lindje e sipër do të jet ë.

42 Do të pushojë Moabi së qeni popull

sepse Zotit i shiti lavde!

43 Tmerr, gropë e lak mbi ty,

o banues i Moabit

‑ është fjala e Zotit.

44 Kush t’i shpëtojë tmerrit,

në gropë do të bjerë;

kush të dalë nga gropa,

do të zihet në lak;

sepse do të sjell kundër Moabit

vitin e ndëshkimit të tyre

‑ është fjala e Zotit.

45 Nën hije të Hesebonit zënë vend

të ikurit të mbetur pa fuqi,

por zjarri doli nga Heseboni,

shpërtheu flaka nga mesi i Sikonit,

ia përpiu tëmthat Moabit,

butin e kresë të kryengritësve.

46 Vaj për ty, o Moab!

Sharroi populli i Kamosit!

Bijtë e tu u zunë robër,

bijat e tua u çuan në skllavëri!

47 Por dikur në një ditë të vonë

prapë Moabin do ta përtërij

‑ është fjala e Zotit.

Këtu merr fund gjyqi i Moabit.

Jeremia: 49. Profeci kundër Amonit

49

1 Në lidhje me bijtë e Amonit, kështu thotë Zoti:

“Izraeli, vallë, a nuk paska djem,

a thua s’paska asnjë trash’gimtar?

Pse Milkomi e trashëgoi Gadin,

populli i tij banoi në qytete të tij?

2 Ja, prandaj se po vijnë ditët

‑ është fjala e Zotit ‑

urratë e luft’s do të bëj të dëgjohen

mbi Rabanë e bijve të Amonit,

do të bëhet një grumbull gurësh

Bijat e saj me zjarr do të digjen,

atëherë Izraeli do t’i plaçkitë

ata që atë e plaçkitën

‑ është fjala e Zotit.

3 Ulërit, Hesebon, sepse Ari u rrafshua,

dhe u bë një grumbull gurësh;

vajtoni bijat e Rabës,

ngjeshuni në grathore, qani,

enduni rreth e rreth muresh,

se Milkomi po tretet në skllavëri,

priftërinjtë e tij së bashku me prijës.

4 Përse mburresh ti me vërritë?

Rrjedh begatshëm vërria jote,

bijë kryengritëse,

që shpreson në visaret e tua

e thua: ‘ Kush guxon të më sulmojë?’

5 Ja, unë po sjell tmerrin mbi ty

‑ thotë Zoti, Hyji i Ushtrive ‑

nga të gjithë që janë rreth teje,

do të shpërndaheni kah t’ju çojnë sytë,

s’do të ketë kush t’i bashkojë të ikurit!

6 Por, pas kësaj, do t’ia ndryshoj fatin Amonit”

‑ është fjala e Zotit.

Profeci kundër Edomit

7 Lidhur me Edomin.

Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Vallë, a s’ka mbetur më urti në Teman?

Vallë, ndër të mençur a mungoi këshilla?

A thua dija e tyre u dëvar?

8 Ikni! Ktheni shpinën! Zbritni në greminë,

ore ju, banorë të Dedanit,

rrënimin e tij po e sjell mbi Ezaun,

është koha të më japë llogari.

9 Nëse do të të vijnë vjelësit e rrushit,

asnjë vile s’do ta lënë;

nëse do të të vijnë vjedhësit e natës,

do të vjedhin çka të duan.

10 Se jam unë që e shqyrtoj Ezaun,

ia zbuloj çdo skutë të fshehtë,

assesi nuk mund të fshihet!

Iu shua fara, iu zhdukën vëllezërit,

s’i mbet vëlla, fqinj që mund t’i thotë:

11 “Mos u shqetëso për bonjakë të tu,

sepse unë ata i rris,

të vejat e tua

unë do të kujdesem për to!”

12 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, ata që nuk do të duhej ta pinin kupën, janë të dënuar ta pinë deri në fund. E ti të kalosh pa e pirë si të ishe i pafajshëm?! S’do të jesh i pafajshëm, por do ta pish deri në fund! 13 Po, unë po përbehem me vetvete ‑ është fjala e Zotit ‑ Bosra do të bëhet vend i shkretë, emnesë, shkretëtirë e mallkim dhe të gjithë qytetet që i përkasin do të bëhen një grumbull rrënojash të përhershme.”

14 Një lajm prej Zotit e mora,

kasneci u dërgua ndër popuj:

“Bashkohuni dhe ejani kundër saj!

Ngrihuni e bini në luftë!”

15 Dhe, ja, të vogël do të të bëj mes popujsh,

të përbuzur mes njerëzish.

16 Mendja e madhe jotja të tradhtoi,

krenaria e zemrës sate;

ti që banon në shpella të qetave,

ti që kapesh kreshtave të bjeshkëve,

edhe nëse e ngreh, si shqiponja, lart çerdhen tënde,

prej andej poshtë do të të plandos

‑ është fjala e Zotit.

17 Edomi do të shkatërrohet: kushdo të kalojë nëpër të, do të mbetet shtang nga habia dhe do të fërshëllejë mbi plagët e tij. 18 Sikurse qenë përmbysur Sodoma e Gomorra dhe qytetet fqinje ‑ është fjala e Zotit ‑ askush më në të s’do të banojë, asnjë bir njeriu në të s’do të strehohet.

19 Ja, porsi luani sulmon nga pylli i dendur i Jordanit

drejt vërrive përherë të gjelbërta,

po ashtu, në një të rrahur të qepallës,

do ta bëj të ikë larg prej tij,

do t’ia vë të parë të zgjedhurin tim.

E njëmend, kush mund të jetë i ngjashëm me mua?

Kush është i zoti mua të më padisë?

Cili bari mund të më bëjë ballë?

20 Pra, dëgjojeni synimin e Zotit

që e ka në mend kundër Edomit,

e vendimet që i mori

kundër banorëve të Temanit:

rrëshqanë do t’i heqin edhe qengjat e grigjës,

për ta shkretë do të mbesin kullotat!

21 Nga rropama e rënies së tyre

do të trandet toka,

klithmat e tyre do të dëgjohen

der në Det të Kuq!

22 Ja, po ngjitet, fluturon si shqipja,

krahët e vet i shtrin mbi Bosrën;

atë ditë zemra e trimave të Edomit

do të jetë si zemra e gruas kur lind!

Profeci kundër qyteteve siriane

23 Lidhur me Damaskun.

“U harbuan Emati e Arfadi,

se dëgjuan një kumt të zi.

U trazuan porsi deti, ngushtë janë,

assesi s’mund të gjejnë qetësi.

24 U shkatërrua Damasku, mori arratinë;

tmerri e frika i pushtoi,

e shtrënguan ngushticë e dhimbje

porsi gruan kur lind fëmijë.

25 Si të mos lihet qyteti i lavdishëm,

fortesa e haresë?

26 Të rinjtë e tij në sheshe do të vriten,

të gjithë atë ditë do t’i vriten trimat

‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.

27 Mureve të Damaskut zjarr do t’u jap,

do t’i përpijë kullat e Benadadit.”

Profeci kundër fiseve arabe

28 Kundër Cedarit e mbretërive të Asorit që i shpartalloi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë.

Kështu thotë Zoti:

“Në këmbë! Suluni kundër Cedarit!

Asgjësoni bijtë e Lindjes!

29 Merruani çadrat edhe grigjat,

pëlhurat e çadrës me almiset e tyre;

le t’u merren gamilet e tyre

dhe le të klithet përmbi ta:

tmerr gjithkund përreth!

30 Ikni! Zhdukuni me shpejtësi!

Fshehuni në gërrla,

ju që banoni Asorin

‑ thotë Zoti ‑

se mbreti i Babilonisë,

ai Nabukodonozori,

ka shestuar kundër jush një plan,

kundër jush vendim ka marrë:

31 “Në këmbë! Suluni kundër pop’llit të qetë,

që jeton në pakujdesi”

‑ është fjala e Zotit ‑

që s’ka derë as shula dere

e jeton krejt i vetmuar!

32 Pre do të jenë devet e tyre,

plaçkë delet e tyre të shumta!”

Do t’i tres në çdo anë,

ata njerëz me tëmtha të rruar,

nga çdo anë do t’u sjell rrënimin

‑ është fjala e Zotit.

33 Strofull çakejsh do të bëhet Asori,

një shkretëtirë e përhershme.

Askush më në të s’do të banojë,

bir njeriu në të s’do të strehohet.”

 

Profeci kundër Elamit

34 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi kundër Elamit, në fillim të mbretërimit të Sedecisë, mbretit të Judës.

35 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Ja, po e thyej harkun e Elamit,

fuqinë më të madhen të tijën,

36 dhe do të sjell përmbi Elamin,

katër erërat nga katër anët e qiellit,

do t’i hedh në të gjitha këto erëra:

asnjë popull kund s’do të ketë,

ku të mos arrijnë të ikurit e Elamit!

37 Elamitëve tmerrin do t’ua shtie

përballë armiqve të tyre,

përballë atyre që u kërkojnë jetën;

fatkeqësinë do ta çoj mbi ta:

zemërimit tim të ndezur flakë

‑ është fjala e Zotit ‑

përpas shpatën do t’ua çoj

derisa krejt t’i asgjësoj.

38 Fronin tim në Elam do ta vë,

do të zhduk mbretër edhe princa

‑ është fjala e Zotit.

39 Por dikur, në ditët e largëta,

do t’ia ndërroj fatin Elamit

‑ është fjala e Zotit.

Jeremia: 50. Profeci kundër Babilonisë

50

1 Fjala që e tha Zotynë lidhur me Babiloninë edhe me tokën e kaldenjve me anë të profetit Jeremi.

Rënia e Babilonisë, çlirimi i Izraelit

2 “Lajmëroni ndër popuj, vini në dijeni,

ngritni flamurin,

shpallni e mos e fshehni, thoni:

‘U pushtua Babilonia,

me turp u mbulua Beli,

u mposht Merodaku!

U turpëruan shtatoret e tij,

dordolecat e tij u thyen!

3 Sepse kundër tij nga Veriu po ngjitet një popull, që tokën e tij do ta shkretojë dhe s’do të mbetet njeri që të banojë në të: as njeri as bagëti: po ikën e do të shkojnë.

4 Në ato ditë e në atë kohë ‑ është fjala e Zotit ‑ do të vijnë bijtë e Izraelit së bashku me bijtë e Judës; do të shpejtojnë duke ecur e duke qarë dhe do ta kërkojnë Zotin, Hyjin e vet.

5 Do të pyesin për udhën e Sionit, drejt të cilit e kanë të drejtuar fytyrën: ‘Ejani t’i mbështetemi Zotit me Lidhje të përhershme, që s’do ta shlyejë asnjë harresë.’

6 Grigjë e humbur ishte populli im, barinjtë e tyre i ngashnjyen dhe bënë që të enden ndër male. Kaluan nga mali në kodër, e patën harruar vathën e vet.

7 Kushdo i gjente, i hante, dhe armiqtë e tyre thoshin: ‘S’po bëjmë kurrfarë faji pasi ata kanë mëkatuar kundër Zotit, kullotës së drejtësisë dhe shpresës së etërve të tyre, Zotit.’

8 Ikni nga Babilonia!

Dilni nga toka e kaldenjve;

jini posi cjeptë në krye të grigjës.

9 Sepse ja, po ngre e nis kundër Babilonisë

një shumicë popujsh të mëdhenj

nga toka e Veriut;

këta do të sulen kundër tij

nga andej edhe do të pushtohet:

shigjeta e tyre si e luftëtarit të zgjedhur,

kotasnjë më nuk do të shkojë.

10 Kaldeja do të bëhet pre,

do të begaten të gjithë plaçkitësit e saj

‑ është fjala e Zotit.

11 Ndërsa gëzoheni e të madhe lëvdoheni,

ju, o plaçkitës, të pronës sime,

ndërsa kërceni si mëzetërit mbi bar,

e hingëllonit si hamshorët e fortë,

12 u turpërua për së forti nëna juaj,

u mbulua me turp ajo që ju lindi:

ja, e fundit do të jetë në mes të popujve,

e shkretuar, e pashteg, e djegur!

13 zemërimi i Zotit derën me ferrë ia mbylli,

krejtësisht do të mbetet e shkretë;

kush të kalojë n’për Babiloni

nga habia shtang do të mbetet,

do të fërshëllejë mbi plagët e tij.

14 Rreshtohuni për luftë rreth Babilonit,

të gjithë ju që harkun ngrehni,

qitni në të, shigjeta mos kurseni,

sepse Zotit deshtas në faj i ra!

15 Britma lufte lëshoni kundër tij,

në çdo anë dorën e shtrin.

U rrëzuan themelet e tij,

u shembën edhe muret e tij,

sepse është dita e hakmarrjes së Zotit.

Hakmerruni kundër tij,

siç bëri ai, bëjani edhe ju atij!

16 Shfaroseni në Babiloni mbjellësin,

edhe korrësin në kohë të korrjes.

Larg nga shpata vrastare,

të kthejë secili në popull të vet,

të ikë çdonjëri në vend të vet.

17 Dele e humbur ishte Izraeli

e përndjekur nga luanët.

I pari e hëngri mbreti i Asirisë,

e i fundit që i hoq edhe kockat,

Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë.

18 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: “Ja, unë do ta ndëshkoj mbretin e Babilonisë dhe tokën e tij siç e ndëshkova mbretin e Asirisë. 19 Unë do ta kthej Izraelin në kullotat e tij e do ta kullotë Karmelin, Basanin, e në malin e Efraimit e të Galaadit do t’i kënaqet shpirti. 20 Po në ato ditë e në atë kohë, ‑ është fjala e Zotit ‑ do të kërkohet mëkati i Izraelit, por nuk do të gjendet, po edhe mëkati i Judës, por nuk do të gjendet, sepse unë ua fala të gjithë atyre që i ruajta.

Rënia e Babilonisë, kumtuar në

Jerusalem

21 Ngjitu në tokën e Merataimit,

sulmo banorët e Fakudit!

Shpartallo, vriti, përndiqi

‑ është fjala e Zotit ‑

bëj gjithçka të kam urdhëruar!

22 Brohoritje lufte po jehojnë

anembanë vendit,

humbje e tmerrshme!

23 Si? U thye e copë u bë

maji i tokës mbarë?

Si? Në shkretëtirë u kthye

mes popujve Babilonia?

24 Lakun ta vura e u pushtove

e ti, s’dije, o Babiloni!

U zure në në befasi dhe u kape,

sepse hyre në luftë me Zotin.

25 Zoti e hapi armëtoren e vet

dhe i nxori armët e zemërimit të vet,

sepse Zoti, Hyji i Ushtrive,

ka për të bërë një punë të madhe në vendin e kaldenjve.

26 Ejani kundër saj nga të gjitha skajet,

hapni drithnikët e saj,

kthejeni në një grumbull gurësh

si kapëll duajsh, vritieni,

saqë gjë prej saj të mos mbesë!

27 Preni të gjithë mëzetërit e tij,

në thertore le të zbresin!

Vaj për ta se u erdhi dita,

koha e ndëshkimit të tyre.

28 Dëgjojeni zërin e atyre që ikën

nga toka e Babilonisë vijnë

për të kumtuar në Sion,

hakmarrjen e Zotit, Hyjit tonë,

hakmarrjen për Tempull të vet.

Mëkati i pafytyrësisë

29 Shigjetarët bashkoni në Babiloni,

të gjithë ata që ngrehin harqet;

rrethojeni nga çdo anë:

që asnjë të mos shpëtojë!

Shpaguajeni sipas veprave të saj,

gjithçka bëri, bëjani asaj,

sepse u çuan kundër Zotit,

Shenjtit të Izraelit.

30 Prandaj nëpër sheshe do të bien të rinjtë e Babilonit,

atë ditë do të vriten të gjithë trimat e tij

‑ është fjala e Zotit.

31 Ja, në shpinë më ke, “o moj Krenari”,

është fjala e Zotit, Hyjit të Ushtrive,

të erdhi dita,

koha e ndëshkimit tënd!

32 Do të bjerë “Krenaria”, do të rrëzohet,

s’do të jetë kush që të mund ta ngrejë.

Zjarr do t’u jap qyteteve të saj,

do t’ia djeg të gjitha rrethinat!

Zoti shpaguesi i Izraelit

33 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: “Të ndrydhur janë bijtë e Izraelit së bashku me bijtë e Judës. Të gjithë ata që i pushtuan, i mbajnë në robëri e nuk duan t’i lirojnë.

34 Porse Shpaguesi i tyre është i fortë, e ka emrin Zoti i Ushtrive, Ai do ta mbrojë rrjedhimisht çështjen e tyre, do t’ia kthejë qetësinë botës dhe do t’i bëjë të dridhen banorët e Babilonisë.

35 Shpatë kundër kaldenjve

‑ është fjala e Zotit ‑

kundër banorëve të Babilonit,

kundër princave e të urtëve të tij!

36 Shpatë kundër dijetarëve të tij:

le të dalin mendsh!

Shpatë kundër trimave të tij:

frika le t’i pushtojë!

37 Shpatë kundër kuajve e karrocave luftarake të tij

e kundër njerëzve që janë në to:

le të bëhen porsi gra!

Shpatë kundër thesareve të tij:

le të rrëmbehen!

38 Shpatë mbi ujërat e tij:

e le të shteren,

sepse është ky vend truporesh,

i çmendën idhujt e tyre

dordolecat mendsh i qesin!

39 Prandaj, në të do të banojnë rrëqebuj me çakej, për struca banesë do të bëhet; kurrë më nuk do banohet as mos u ndërtoftë më brez pas brezi.

40 Sikurse Zoti e rroposi Sodomën e Gomorrën me qytetet përkatëse të tyre ‑ është fjala e Zotit ‑ njeri më në të s’do të banojë, më në të s’do të strehohet bir njeriu.

Populli i Veriut e luani i Jordanit

41 Ja se arrin një popull nga Veriu, një popull i madh, e shumë mbretër po ngrihen nga skajet e botës.

42 Në dorë i morën hark e heshtë; të pashpirtë janë dhe të pamëshirshëm; zëri i tyre gjëmon porsi deti. Hipën në kuaj porsi trimat të përgatitur për luftim kundër teje, bija e Babilonisë.

43 E dëgjoi mbreti i Babilonisë zërin e trimërisë së tyre dhe i lëshoi fuqia krahët e tij. Ngushticë e madhe e pushtoi, dhimbje si dhimbja e gruas kur lind.

44 Ja, porsi luani kur sulet nga pylli i dendur i Jordanit drejt livadheve gjithherë të blerta, do t’i bëj të ikin prej saj e të parë do t’ia bëj atë që më pëlqen. E njëmend, kush është i ngjashëm me mua? Kush guxon të më hedhë në gjyq? E ku mund të gjendet ai bari që do të mund të më qëndrojë përballë?

45 Pra, dëgjojeni synimin e Zotit, që e ka në mend kundër Babilonisë e vendimet që i mori kundër tokës së kaldenjve: po se rrëshqanë do t’i heqin edhe qengjat e grigjës, për ta shkretë do të mbesin kullotat. 46 Nga rropama e pushtimit të Babilonisë do të trandet toka dhe britma e vaji do të dëgjohet ndër popuj.”

Jeremia: 51. Zoti kundër Babilonisë

51

1 Kështu thotë Zoti:

“Ja, unë do ta çoj kundër Babilonisë

e kundër banorëve të Kaldesë

një erë që sjell vdekjen.

2 Do të dërgoj në Babiloni hedhës

që do ta hedhin në erë si me terplote

e do ta shpartallojnë tokën e tij,

sepse në të do të sulen për gjithë anë,

ditën e çmoskurrjes së zezë.

3 Shigjetari të mos e lëshojë harkun,

e pancirin të mos e zhveshë.

Të rinjtë e tyre mos i kurseni,

vritiani të tërë ushtrinë!”

4 Do të bien të vrarë në tokën e kaldenjve,

të plagosur në sheshet e saj,

5 sepse s’u vejërua Izraeli as Juda

prej Hyjit të vet, Zotit të Ushtrive.

sepse toka e tyre është plot fajësi

para Shenjtit të Izraelit.

6 Largohuni nga Babilonia,

le të shpëtojë secili jetën e vet,

mos u birrni për faj të tij,

sepse është dita e hakmarrjes së Zotit:

ç’meritoi atij po i jep.

7 Babilonia në dorën e Zotit

ishte kupë punuar prej ari

që e dehu botën mbarë;

prej verës së tij popujt u pinë

e prandaj u dolën mendtë.

8 Papritmas ra Babilonia,

u copëtua. Mbi të qani!

Merrni balsam për dhimbjet e tij,

se mos shërohet!

9 “E mjekuam Babilonin,

por s’u shërua dot,

Lëreni e të shkojmë secili

në vend të vet,

sepse ndëshkimi i tij arriti der’në qiell,

po lartësohet deri në re.

10 E ngriti Zoti drejtësinë tonë!

Ejani ta shpallim në Sion,

veprën e Zotit, Hyjit tonë!”

11 Mprehni shigjetat, mbushni kukurrat,

e zgjoi Zoti shpirtin e mbretërve medë,

se synoi të shfaros Babiloninë,

ta rroposë,

sepse është hakmarrja e Zotit,

hakmarrja e Tempullit të tij.

12 Mbi mure të Babilonisë valvitni flamurin!

Shtoni rojat,

vini rojtarë, bëni pusi,

sepse Zoti ka bërë pleqëri,

e çka pat thënë, tani po e zbaton,

ndaj banorëve të Babilonisë.

13 Ti që banon bri ujërash të shumtë,

o i pasur me visare,

të erdhi fundi,

momenti i prerjes sate!

14 Edhe Zoti i Ushtrive

me vete u përbetua:

“Do të të mbush me njerëz si karkaleca,

përmbi ty do të këndohet kënga e të vjelave.”

15 Ai me fuqinë e vet i dha trajtë tokës,

me urti të vet të qëndrueshme e bëri botën,

me dijen e vet qiellin e shtriu.

16 Me zërin e tij grumbullohen

ujëra të shumtë në qiell

dhe i ngre retë nga skaji i tokës,

bën që vetëtimat të shpërthejnë në shi,

e nxjerr erën nga thesaret e vet.

17 Atëherë i marrë bëhet çdo njeri, pa dije,

çdo argjendar turpërohet nga idhulli i vet,

sepse shtatoret e tij s’janë tjetër, por veç gënjeshtër

edhe atyre fryma u mungon.

18 Veprat janë të kota, të denja për t’u përqeshur,

ditën e ndëshkimit ato do të zhduken.

19 E tillë s’është, jo, “Pjesa e Jakobit”,

sepse Ai e ka krijuar gjithësinë

e Izraeli është fisi i trashëgimit të tij:

Emri i tij është Zoti i Ushtrive.

Maji i Zotit e mali i madh

20 Ti qe maj në dorën time,

një vegël lufte:

me ty i rraha popujt,

me ty i shpartallova mbretëritë.

21 Me ty rraha kalë e kalorës,

me ty rraha karrocë lufte e karrocierë,

22 me ty rraha burrë e grua,

me ty rraha plak e të ri,

me ty rraha djalosh e vajzë,

23 me ty rraha bari e grigjë,

me ty rraha bujk e pendët e qeve,

me ty rraha qeveritarë e bujarë.

24 E tani po i hakmerrem ndër sy tuaj Babilonisë e të gjithë banorëve të Kaldesë për të gjitha të këqijat që ia bënë Sionit ‑ thotë Zoti.

25 Pritëm se me ty e kam,

o Mali shkatërrues

‑ është fjala e Zotit ‑

ti që e prish gjithësinë!

Kundër teje po e lartësoj dorën,

do të të plandos prej kreshtave të larta,

do të të bëj mal të djegur zhar!

26 Prej teje s’do të gdhendet gur këndi

as gur që të vihet në themele,

sepse do të bëhesh shkretëtirë e përhershme

‑ është fjala e Zotit.

Drejt mbarimit

27 Ngrejeni flamurin në vend,

mes popujsh bini borisë,

bëni gati popujt kundër tij,

kundër tij thirrni mbretëritë

Araratin, Meniun e Askenezin.

Përcaktoni kundër tij shkruesit,

sillni kuaj si karkalecat me thimtha.

28 Përgatitni popujt për ta sulmuar: mbretërit e Medisë e prijësit e saj, me të gjithë bujarët e saj edhe mbarë vendin që i përket asaj.

29 Atëherë toka do të trandet, do të gjëmojë, sepse synimi i Zotit

po shkon në vend kundër Babelit:

që të bëhet toka e Babelit

shkretëtirë, e pabanueshme.

30 E lanë luftën trimat e Babilonit,

u ngujuan ndër fortesa;

trimëria e tyre u sos

dhe u bënë si të ishin gra.

U dogjën banesat e tij,

u copëtuan shulat e tij.

31 Kasneci kasnecin s’e pret,

lajmëtari s’e pret lajmëtarin,

të njoftojë mbretin e Babilonisë

se u pushtua qyteti i tij

prej një skaji në skajin tjetër,

32 se janë zënë gjithkund vatë,

kënetave u është dhënë zjarri,

luftëtarët frika i pushtoi.

33 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive,

Hyji i Izraelit:

“Si lëmë kur për shirje bëhet gati

është bija e Babilonisë,

edhe pak e erdh koha e korrjes së saj!”

Hakmarrja e Zotit

34 “Më hëngri, më përpiu Nabuku,

mbreti i Babilonisë

më la kupë të thatë,

më përlau porsi kuçedra,

me të mirat e mia e mbushi barkun

e mua më treti në mërgim.”

35 Padrejtësia bërë kundër meje

e mundimet e trupit tim,

rënçin, deh, mbi Babiloninë

thonë banorët e Sionit;

“gjaku im mbi banorët e Kaldesë!”,

thonë banorët e Jerusalemit.

36 Prandaj, Zoti thotë kështu:

“Ja, unë vetë do ta gjykoj çështjen tënde,

unë do ta kryej hakmarrjen tënde,

do ta thaë thaj detin e saj,

do t’i shter burimet e saj.

37 Babilonia, po, do të bëhet

grumbull gurësh, strofull çakejsh,

shenjë çudie e fërshëllimi,

vend i shkretë, i pabanueshëm.

38 Ulërijnë së bashku si luanët,

le të ulërijnë si klyshë luani!

39 Kur t’i kapë të nxehtët do t’u jap të pijnë,

do t’i deh që të kotullohen,

t’i zërë gjumi i përhershëm

e askurrë më të mos u dalë

‑ është fjala e Zotit.

40 do t’i shpie në therje si qengjat,

porsi desh e porsi cjep.”

Vajtim mbi Babiloninë

41 Si? A u robërua Babeli,

u pushtua lavdia e botës mbarë?!

Si? A u bë një emnesë

në mes të popujve Babilonia?!

42 U çua deti kundër Babilonit,

valët e shumta të tij e mbuluan!

43 Qytetet iu bënë shkretëtirë,

vend i shkretë i pabanueshëm,

vend, në të cilin askush s’banon,

erë njeriu n’për të s’kalon!

Ndëshkimi i Zotit kundër idhujve

44 Do të ndëshkoj Belin në Babiloni,

goje do t’i nxjerr ç’përlau.

Popujt më tek ai s’do të shkojnë,

Babilonisë muret do t’i shemben.

45 Dil prej tij, o populli im,

secili le të shpëtojë jetën e vet

nga zemërimi i zjarrtë i Zotit!”

46 Por mos t’ju ligështohet zemra dhe mos u trembni nga lajmi që do të shpërndahet në vend: një vit vjen ky lajm, vitin tjetër një lajm tjetër. Dhuna është në vend, një tiran kundër një tirani tjetër.

47 Prandaj, ja po vijnë ditët, do t’i ndëshkoj idhujt e Babilonit; vendin e tij do ta mbulojë turpi, të gjithë të vrarët e tij do të mbesin mbi dhe.

48 Qielli e toka dhe gjithçka përmbajnë do të galdojnë mbi Babilonin, sepse nga Veriu do të sulmojnë rrëmbyesit ‑ është fjala e Zotit.

49 Edhe Babiloni do të bjerë për shkak të të vrarëve të Izraelit, sikurse për Babiloninë ranë të vrarët e mbarë botës.

50 Ju që shpëtuat nga shpata, nisuni e mos u ndalni. Nga ky vend i largët le t’ju bjerë në mend Zoti e kijeni në zemër Jerusalemin.

51 Skuqeshim duke dëgjuar poshtërimin; fytyra na skuqej, sepse të huajt kishin hyrë në Shenjtëroren e Shtëpisë së Zotit”.

52 Prandaj, ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ do t’i ndëshkoj idhujt e tij dhe në mbarë vendin e tij do të gjëmojnë të plagosurit.

53 Po edhe nëse ngjitet Babilonia në qiell, po edhe nëse e bën të paafrueshme qytezën e vet, unë do t’i dërgoj shpartalluesit e tij ‑ është fjala e Zotit.

54 Dëgjoni! Një klithmë nga Babilonia! Një emnesë e madhe në tokën e kaldenjve,

55 sepse Zoti po e shkreton Babiloninë, e bën të mos dëgjohet britma e saj e madhe. Gjëmojnë valët e tij porsi ujërat e mëdha, ushton zhurma e zërit të tyre. 56 Sepse po vjen mbi të, d. m. th. mbi Babiloninë, shkatërrimtari. U zunë robër trimat e tij, iu thye harku! Po, Zoti është Hyji shpagues, që shpaguan me përpikëri!

57 Do t’i deh prijësit e tij, të urtët e tij, udhëheqësit e tij, qeveritarët e tij dhe luftëtarët e tij: do t’i kapë gjumi i përhershëm, më s’do t’u dalë” ‑ thotë Mbreti, që emrin e ka Zoti i Ushtrive.

Babilonia e rrafshuar

58 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

“Muret e gjera të Babilonisë

do të shemben deri në themele,

dyert e tij aq të shkëlqyeshme,

flaka e zjarrit do t’i djegë.

Për asgjë hoqën keq popujt,

për zjarr u lodhën popujt!”

Profecia e hedhur në Eufrat

59 Ja urdhri që profeti Jeremi ia dha Sarajës, birit të Nerisë, të birit të Maasisë, kur ky po udhëtonte bashkë me Sedecinë, mbretin e Judës, për Babiloni në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Saraja ishte kryeudhëheqësi i pushimeve të shtegtimit. 60 Në një libër Jeremia i shënoi të gjitha fatkeqësitë që do t’i binin mbi kokë Babilonisë ‑ të gjitha këto fjalë që kanë qenë shkruar kundër Babilonisë. 61 Jeremia, pra, i tha Sarajës: “Kur të arrish në Babiloni, kërko rastin t’i lexosh botërisht këto fjalë. 62 Pastaj thuaj: ‘Ti, o Zot, vetë ke thënë kundër këtij vendi se do ta shpartallosh ashtu që të mos ketë kush të banojë në të as njeri as shtazë shtëpiake dhe se do të bëhet shkretëtirë e përhershme.’ 63 Pasi ta kesh përfunduar së lexuari këtë libër, lidh për të një gur dhe hidhe në Eufrat 64 e thuaj: ‘Kështu do të fundoset Babilonia e më s’do të ngrihet nga e keqja që unë do ta sjell mbi të e do të sharrojë. ’“

Këto ishin fjalët e Jeremisë.

Jeremia: 52. Shpartallimi i Jerusalemit dhe nderi i bërë Joakinit

52

1 Sedecia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret e mbretëroi në Jerusalem njëmbëdhjetë vjet. Emri i së ëmës ishte Amital, bija e Jeremisë nga Lobna. 2 Bëri çka s’i pëlqente Zotit krejt si kishte bërë Joakini. 3 Kështu i ndodhi Jerusalemit e Judës për shkak të zemërimit të Zotit, aq sa edhe i flaku larg pranisë së vet.

Sedecia u ngrit kundër mbretit të Babilonisë. 4 Të nëntin vit të mbretërimit të tij, më dhjetë të të dhjetit muaj, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, ai vetë me mbarë ushtrinë e tij kundër Jerusalemit. E rrethuan dhe ndërtuan llogore kundër tij gjithkund përreth. 5 Qyteti mbeti i rrethuar deri të njëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Sedecisë. 6 Të nëntën ditë të të katërtit muaj, ndërsa në qytet mbretëronte uria e madhe dhe për popullin e vendit nuk kishte më ushqime, 7 u thye qyteti. Të gjithë luftëtarët ikën dhe natën dolën nga qyteti nëpër derën që është në mes të dy mureve dhe shpie në kopshtin e mbretit. Kaldenjtë e mbanin gjithkund përreth qytetin e rrethuar, e ata ikën udhës që çon në Arabë. 8 Por mbretit iu vu në shpinë ushtria e kaldenjve dhe e zunë Sedecinë në rrafshnaltën e Jerikut, ku e gjithë përcjellja ushtarake e tij iku dhe u arratis. 9 Kur e kapën mbretin, e çuan te mbreti i Babilonisë në Reblë, që është në tokën e Ematit. Ky ia preu gjyqin. 10 Mbreti i Babilonisë ndër sy të Sedecisë ia preu të bijtë, i preu edhe të gjithë princat e Judës në Reblë. 11 Atëherë Sedecisë ia nxori sytë, e lidhi në pranga dhe mbreti i Babilonisë e shpuri në Babiloni, ku e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij.

12 Pastaj në muajin e pestë, të dhjetën ditë të muajit, d. m. th. të nëntëmbëdhjetin vit të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, njëri nga oborrtarët më të afërt të mbretit të Babilonisë, erdhi në Jerusalem. 13 E dogji Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e mbretit. Flakë i dogji edhe të gjitha shtëpitë e Jerusalemit e sidomos shtëpitë e parisë. 14 Atëherë mbarë ushtria e kaldenjve, që ishte me kryekoman‑ dantin e rojës trupore, e rrëzoi krejt murin rrethues të Jerusalemit.

15 Nabuzardani kryekomandanti i rojës trupore, mori në mërgim një pjesë të popullit të varfër, popullin tjetër që kishte qëndruar në qytet, si dhe prej atyre që kishin pasë ikur te mbreti i Babilonisë, dhe sa kishin mbetur prej mjeshtrave. 16 Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, e la një pjesë të vegjëlisë si vreshtarë e bujq.

17 Kaldenjtë i thyen shtyllat e bronzta, që ishin në Shtëpinë e Zotit, bazat dhe detin e bronztë, që ishte në Shtëpinë e Zotit: tërë bronzin e tyre e çuan në Babiloni. 18 Morën edhe kusitë, kacitë, thikat, kupat e stërpikjes, shterat dhe të gjitha enët e bronzta që përdoreshin për nevojat e liturgjisë. 19 Kryekomandanti i rojës trupore mori legenat, kemoret, kupat e stërpikjes, kusitë, shandanat, shterat, potirët: gjithçka ishte prej ari e gjithçka ishte prej argjendi; 20 dy shtylla, një det, mëzetër të artë dymbëdhjetë, që ishin nën bazë, që mbreti Salomon i kishte punuar për Shtëpinë e Zotit. 20 Nuk ishte e mundur të llogaritej sa ishte pesha e bronzit e të gjitha këtyre enëve. 21 Njëra shtyllë ishte tetëmbëdhjetë kutë e lartë e duhej një pe dymbëdhjetë kutësh për ta pushtuar, kurse trashësia e saj ishte katër gishtërinj, ndërsa përbrenda ishte e zbrazët. 22 Ishin edhe kapitelat e bronzta mbi të dyja shtyllat: lartësia e njërit kapitel ishte pesë kute kutë. Ishin edhe gërshetat e shegat e bronzta gjithkund përreth mbi kapitel; po ashtu edhe në shtyllën e dytë. 23 Nëntëdhjetë e gjashtë shega vareshin lirisht. Në degët e gërshetuara përreth ishin njëqind shega.

24 Kryekomandanti i rojës trupore mori me vete Sarajën, kryetarin e priftërinjve, dhe Sofoninë, priftin e dytë edhe tri rojet e pragut. 25 Nga qyteti mori një oborrtar, që ishte i pari i ushtrisë dhe shtatë burra nga shoqëruesit e mbretit që ndodheshin në qytet, edhe shkruesin e kryetarit të ushtrisë që ishte i ngarkuar të mblidhte rishtarinë e ushtrisë, edhe gjashtë ‑ dhjetë burra nga vegjëlia që u ndodhën në qytet. 26 Këta njerëz Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore, i mori me vete dhe i çoi në Reblë te mbreti i Babilonisë. 27 Në Reblë, në tokën e Ematit, i dënoi me vdekje dhe ua preu kokën. Kështu populli i Judës qe tretur larg atdheut të vet.

28 Ja numri i njerëzve të tretur nga Nabukodonozori: të shtatin vit: tre mijë e njëzet e tre judenj;

29 të tetëmbëdhjetin vit: të Nabukodonozorit: nga Jerusalemi tetëqind e tridhjetë e dy vetë;

30 në vitin e njëzet e tretë të Nabukodonozorit, i treti Nabuzardani, kryekomandanti i rojës trupore: shtatëqind e dyzet e pesë judenj.

Kështu, pra, të gjithë të treturit nga atdheu ishin: katër mijë e gjashtëqind vetë.

31 Të tridhjeteshtatin vit të shpërnguljes së Joakinit, mbretit të Judës, të dymbëdhjetin muaj, të njëzetepestën ditë të muajit, Evilmerodaku, mbreti i Babilonisë, po atë vit që u bë mbret, e fali Joakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu. 32 Fliste me të miqësisht. Ndenjësen e tij e vuri më lart se ndenjëset e mbretërve të tjerë, që ishin me të në Babiloni. 33 Joakini i hoqi petkat e veta të burgut dhe për sa qe gjallë, gjithmonë hëngri bukë në tryezën e mbretit. 34 Gjithçka i duhej për jetesë, ushqimin e përditshëm, ia siguroi vazhdimisht mbreti i Babilonisë, si një ditë për ditë, sa qe gjallë, deri ditën e vdekjes së tij.