2 i Samuelit: 1. Davidi dëgjon për vdekjen e Saulit

1

1 Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga përleshja pasi kishte shfarosur amalekasit. Qëndroi dy ditë në Siceleg. 2 Kur ja, të tretën ditë, po vinte një njeri prej aradheve të Saulit. Ishte me rroba të shqyera e me kokë të mbuluar nga pluhuri. Kur arriti para Davidit, ra me fytyrë përdhe dhe i bëri nderim. 3 Davidi e pyeti: “Nga po vjen”? ai iu përgjigj: “Ika prej taborreve të Izraelit”. 4 Davidi i tha: “Çfarë ka ndodhur? Më trego”! Ai iu përgjigj: “Populli iku prej përleshjes dhe shumë njerëz prej popullit ranë të vdekur. U vranë edhe Sauli dhe Jonatani, djali i tij”. 5 Davidi i tha djaloshit që po i sillte lajmin: “Nga e di nëse kanë mbetur Sauli e Jonatani, biri i tij”? 6 Djaloshi që po sillte lajmin u përgjigj: “Rastësisht erdha në malin Gjelboé kur ja, shoh se Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kurse karrocat e luftës dhe kalorësit po e shtrëngonin përreth. 7 Ai u kthye e më pa dhe më thirri; unë iu përgjigja: ‘Tek jam’! 8 Ai më pyeti: ‘Kush je ti’? Unë iu përgjigja: ‘Jam i amalekas’. 9 Atëherë vazhdoi: ‘Sulu në mua e më vra, sepse jam në grahmat e vdekjes sado që shpirti është ende i tëri në mua’. 10 Kërceva mbi të dhe e vrava, sepse e dija se pas rënies nuk do të mbetej gjallë. Atëherë ia mora kurorën mbretërore që e kishte mbi kokë, si dhe mëdorëzën që e kishte në dorë, dhe i solla këtu tek ti, zotëria im”.

11 Si e mori vesh Davidi, shqeu petkat e veta. Po ashtu edhe të gjithë njerëzit që ishin me të. 12 Qanë e vajtuan dhe agjëruan deri në mbrëmje për Saulin e për Jonatanin, birin e tij, dhe për mbarë popullin e Zotit e shtëpinë e Izraelit, që mbetën të vrarë prej shpate.

13 Pastaj Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: “Nga je”? Ai iu përgjigj: “Jam biri i një ardhacaku amalekas”. 14 Atëherë Davidi i tha: “Si nuk u trembe të ngrije dorën për ta vrarë të shuguruarin e Zotit”? 15 Davidi e thirri njërin prej djelmoshave dhe i urdhëroi: “Afrohu dhe vritie”! Ai i ra dhe e vrau. 16 Davidi i tha: “Gjaku yt mbi kokën tënde, sepse goja jote dëshmoi kundër teje kur the: ‘Unë e vrava të shuguruarin e Zotit’”.

Elegjia e Davidit mbi Saulin e mbi Jonatanin

17 Atëherë Davidi bëri këtë vajtim mbi Saulin e mbi Jonatanin, birin e tij, 18 e urdhëroi që t’u mësohet bijve të Judës kënga e harkut, siç është e shkruar në Librin e të Drejtit. Davidi tha:

19 “Vaj për ty, o Izrael, si e pati kështu nderi yt?!

Trimat e trimave, ja, në malet e tua ranë!

20 Mos e shpallni në Get kumtin e zi,

mos e tregoni në udhët e Askalonit:

që të mos gëzohen bijat e filistenjve,

që të mos kënaqen bijat e parrethprerëve.

21 Ju, o bjeshkët e Gjelboesë,

vesë as shi mbi ju mos rëntë,

djerra arat në ty mbetshin,

pasi në ju keqas u mposht

mburoja e trimave mbi trima!

Mburoja e Saulit jo me vaj lyer,

22 por me gjak të vrarësh’ e me dhjamë kreshnikësh.

Harku i Jonatanit kurrë në të thatë nuk shkrepi,

shpata e Saulit kurr kot nuk vringëlloi!

23 Saul e Jonatan, të dashur e bujarë:

si në jetë dhe në vdekje mbetën të pandarë!

Më të shpejtë se shqiponjat,

më të fortë se luanët ishin!

24 O ju bija të Izraelit,

përmbi Saulin të gjitha qani.

Ai ju veshte me grimiz e purpur,

për më tepër ju stoliste

me kolona e argjende ari!

25 Ranë trimat në mes të betejës

Heu Jonatani i vrarë në mal prehet!

26 Vdekja jote për mua të mjerin

dhembje e madhe, or vëlla Jonatan!

Se sa fort unë ty të doja:

e për mua miqësia jote

ish më shumë se dashuria e gruas.

27 Heu si ranë trimat mbi trima,

armët e luftës si u copëtuan”!?

2 i Samuelit: 2. Shugurimi i Davidit dhe porosia për njerëzit e Jabesit

2

1 Pas kësaj, Davidi e pyeti Zotin: “A do të shkoj në ndonjërin prej qyteteve të Judës”? E Zoti iu përgjigj: “Shko”! Atëherë Davidi i tha: “Në cilin të shkoj”? Ai iu përgjigj: “Në Hebron”. 2 Kështu, pra, shkoi Davidi e dy gratë e tija, Akinoama, nga Jezraheli, dhe Abigajla, gruaja e Nabalit, prej Karmelit. 3 Po kështu Davidi mori me vete edhe të gjithë njerëzit që ishin me të, secilin me familjen e vet dhe ngulën në fshatrat e Hebronit. 4 Atëherë erdhën njerëzit e Judës dhe aty e lyen Davidin për mbret që të sundojë mbi shtëpinë e Judës.

I çuan fjalë Davidit se njerëzit e Jabesit të Galaadit e kishin varrosur Saulin. 5 Prandaj edhe Davidi i dërgoi lajmëtarët te njerëzit e Jabesit të Galaadit dhe u tha: “Paçi bekimin e Zotit që keni kryer këtë vepër mëshire ndaj zotërisë tuaj Saulit, që e keni varrosur. 6 Prandaj Zoti ju paftë me dashurinë e vet e me besnikërinë e vet; po edhe unë nuk do të harroj t’ju bëj gjithashtu mirë, pasi e keni bërë këtë punë të mirë. 7 Tani merrni zemër e jini burra të fortë. Megjithëse ka vdekur Sauli, zotëria juaj, prapëseprapë shtëpia e Judës më ka lyer mua për mbret të vetin”.

Abneri e vë Isbaalin për mbret të Izraelit

8 Porse Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, e mori Isbaalin, djalin e Saulit, e çoi në Mahanaim 9 dhe aty e bëri mbret mbi Galaadin, mbi Aserin, mbi Jezrahelin, mbi Efraimin, mbi Beniaminin dhe mbi mbarë Izraelin. 10 Isbaali, biri i Saulit, kur filloi të mbretërojë, kishte dyzet vjet dhe mbretëroi dy vjet. Vetëm fisi i Judës e ndiqte Davidin. 11 Davidi mbretëroi mbi shtëpinë e Judës me qëndrim në Hebron shtatë vjet e gjashtë muaj.

Lufta ndërmjet Judës e Izraelit. Beteja në Gabaon

12 Doli Abneri, biri i Nerit, e shërbëtorët e Isbaalit, të birit të Saulit, prej Mahanaimit në drejtim të Gabaonit. 13 Po ashtu edhe Joabi, biri Sarvisë, dhe shërbëtorët e Davidit dolën edhe ata dhe u takuan në brigjet e liqenit të Gabaonit. Këta qëndronin në njërën anë të liqenit, kurse ata në anën tjetër. 14 Abneri i tha Joabit: “Le të ngrihen djelmoshat e le të luftojnë para nesh”. Joabi iu përgjigj: “Le të çohen”! 15 U ngritën pra, prej anës së Isbaalit, birit të Saulit, prej Beniaminit e u rreshtuan dymbëdhjetë vetë, po edhe dymbëdhjetë nga ana e djelmoshave të Davidit. 16 Çdonjëri kapi kundërshtarin e vet për koke e ia nguli shpatën në ije, kështu që të gjithë ranë vdekur së bashku. Për këtë arsye ai vend u quajt Fusha e Ijeve e ndodhet te Gabaoni.

17 Përleshja u bë atë ditë shumë e ashpër dhe Abneri me njerëzit e Izraelit qe vënë në ikje prej djelmoshave të Davidit. 18 Aty ndodheshin tre bijtë e Sarvisë: Joabi, Abisai dhe Asaeli. Porse Asaeli ishte vrapues tejet i shpejtë, porsi sorkadhi në fushë të larë. 19 Asaeli iu vu në shpinë Abnerit dhe nuk i shmangej as djathtas as majtas, por e ndiqte drejt Abnerin. 20 Abneri e solli kokën prapa dhe tha: “A mos je ti Asael”? Ai iu përgjigj: “Unë jam”! 21 Abneri i tha: “Shko djathtas ose majtas, kap një djalosh dhe merri plaçkat e tija”. Por Asaeli nuk deshi ta linte e të mos e ndiqte. 22 Përsëri Abneri i tha Asaelit: “Hiqu! Mos më ndiq më. Mos më detyro të të godas e të të përplas për tokë. Atëherë s’do të mund t’i ngre sytë e mi e ta shikoj Joabin, vëllanë tënd”. 23 Por ky s’deshi të bindej e të largohej. Atëherë Abneri i ra me anën e sprasme të heshtës në baqth dhe heshta i doli anëpërtej. Aty edhe vdiq. Dhe të gjithë që kalonin aty ndaleshin e shikonin vendin ku ra dhe vdiq Asaeli.

24 Por Joabi e Abisai e ndoqën Abnerin që po ikte derisa perëndoi dielli. Arritën deri në malin Amë, që është përballë Gajahut në udhën e shkretëtirës drejt Gabaonit. 25 Atëherë u bashkuan bijtë e Beniaminit me Abnerin, u mblodhën në çetë dhe zunë vend në majë të një bregu. 26

Atëherë Abneri i thirri Joabit: “Deri në shfarosje do të tërbohet shpata jote a? A s’po sheh se dëshpërimi po na sjell rrënim? Deri kur nuk do t’i urdhërosh popullit që të zërë vend e të mos i ndjekë vëllezërit e vet”? 27 Joabi iu përgjigj: “Pasha Hyjin e gjallë, po të mos kishe folur, deri në mëngjes populli nuk do të ishte ndalur duke ndjekur secili vëllanë e vet”. 28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë ushtria u ndal. Nuk e ndoqi më Izraelin dhe nuk luftuan më.

29 Abneri dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë atë natë nëpër Arabë, e kaluan Jordanin dhe, pasi kaluan tërë grykën e Betronit, arritën në Mahanaim. 30 Kurse Joabi e la ndjekjen e Abnerit dhe bashkoi ushtrinë. Atëherë panë se prej ushtrisë së Davidit mungonin nëntëmbëdhjetë burra, përveç Asaelit. 31 Shërbëtorët e Davidit vranë treqind e gjashtëdhjetë vetë prej beniaminëve, ushtarëve të Abnerit. 32 E morën Asaelin dhe e varrosën në varrezën e t’et në Betlehem. Pastaj Joabi dhe njerëzit që ishin me të, vazhduan udhën gjithë natën dhe në agim arritën në Hebron.

2 i Samuelit: 3. Djemtë e Davidit të lindur në Hebron

3

1 Lufta ndërmjet shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe shumë e gjatë: Davidi vinte e forcohej gjithnjë, kurse shtëpia e Saulit vinte duke rënë çdo ditë e më poshtë.

Djemtë e Davidit të lindur në Hebron

2 Davidit i lindën disa djem në Hebron. I parëlinduri i tij qe Amnoni që i leu prej Akinoamës Jezrahelite; 3 pas tij Keleabi prej Abigajles, gruas së Nabalit prej Karmelit; kurse i treti Absalomi, biri i Maakës, bijës së Tolmait, mbretit të Gesurit; 4 i katërti Adonia, biri i Hagitit; i pesti Safatia, biri i Abitales; 5 kurse i gjashti qe Jetraami, prej Eglës, gruas së Davidit: këta djem i lindën Davidit në Hebron.

Ndërprerja e marrëdhënieve mes Abnerit dhe Isbaalit

6 Ndërsa po vazhdonte lufta mes shtëpisë së Saulit e shtëpisë së Davidit, Abneri, biri i Nerit, po merrte sundimin mbi shtëpinë e Saulit. 7 Sauli kishte pasur një shemër me emrin Resfë, që ishte bija e Ajait. Isbaali i tha Abnerit: 8 “Pse ke hyrë tek shemra e tim eti”? Ky, i hidhëruar për së tepri prej fjalëve të Isbaalit, iu përgjigj: “Pse, a jam unë një kokë qeni prej Judës? Tani sa kohë dhe sot unë i qëndroj besnik shtëpisë së Saulit, babait tënd, dhe vëllezërve të tij e të afërmve dhe as ty nuk të lëshova në duar të Davidit. E ti u gjete të më qortosh për faj gruaje! 9 More kështu ia bëftë Hyji Abnerit, madje edhe më zi, nëse nuk do të bëj ashtu sikurse Zoti i është përbetuar Davidit: 10 se do të kalohet mbretëria prej shtëpisë së Saulit dhe do të forcohet froni i Davidit përmbi Izrael e Judë që prej Danit e deri në Bersabé”.

11 Isbaali nuk pati guxim t’i përgjigjej asnjë fjalë, sepse e druante.

Abneri bën marrëveshje me Davidin

12 Abneri dërgoi disa delegatë te Davidi për t’i thënë në emër të tij: “I kujt është vendi”? e mendonte të thoshte: “Bëj miqësi me mua dhe dora ime do të jetë me ty dhe do të sjellë me ty mbarë Izraelin”. 13 Davidi iu përgjigj: “Mirë fort! Unë do të lidh besëlidhje me ty, por një gjë të kërkoj si kusht paraprak: mos m’u duk para syve të mi nëse më parë nuk ma sjell Mikolën, bijën e Saulit. Vetëm atëherë mund të vish e të më dalësh përpara syve”. 14 Ndërkaq Davidi dërgoi lajmëtarë tek Isbaali, djali i Saulit, e tha: “Ma kthe gruan time Mikolën që e fejova, me njëqind gjymtyrë filistenjsh”. 15 Atëherë Isbaali dërgoi njerëzit dhe e mori prej burrit të saj Faltielit, birit të Laisit. 16 Burri i saj e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Atëherë Abneri i tha: “Shko! Kthehu prapa”! Ai u kthye.

17 Abneri kishte pasur bisedime me pleqtë e Izraelit e u kishte thënë: “Ka shumë kohë që ju dëshironit që Davidi të jetë mbret mbi ju. 18 Tani është koha të veproni. Sepse Zoti ka thënë lidhur me Davidin: ‘Me anë të dorës së Davidit, shërbëtorit tim, do ta shpëtoj Izraelin, popullin tim, prej dorës së filistenjve e të gjithë armiqve të tij’”. 19 Abneri u tha kështu edhe bijve të Beniaminit. Atëherë shkoi në Hebron për t’i treguar Davidit gjithçka i kishte pëlqyer Izraelit dhe mbarë Beniaminit.

20 Abneri erdhi te Davidi në Hebron bashkë me njëzet vetë. Davidi i bëri gosti Abnerit dhe njëzet vetëve që kishin ardhur me të. 21 Abneri i tha Davidit: “Po shkoj e po e bashkoj mbarë Izraelin rreth imzotit, mbretit tim, me qëllim që të lidhin me ty besëlidhje dhe të mbretërosh mbi të gjithë sipas pëlqimit tënd”.

Atëherë Davidi e përcolli Abnerin dhe ky u nis në paqe.

Vrasja e Abnerit

22 Kur ja, u kthyen nga çetimi djelmoshat e Davidit dhe Joabi me pre të madhe. Por Abneri nuk ishte atëherë më me Davidin në Hebron, sepse e kishte përcjellë dhe ai kishte shkuar në paqe, 23 kurse Joabi dhe mbarë ushtria që kishte qenë me të, arritën më vonë. I treguan disa Joabit e i thanë: “Abneri, biri i Nerit, ka qenë te mbreti. Mbreti e përcolli e shkoi në besë”. 24 Atëherë Joabi hyri te mbreti dhe i tha: “Po ç’bëre ashtu? Paska qenë Abneri tek ti! Po pse e lëshove të shkojë në paqe? 25 A nuk e njohe ende Abnerin, birin e Nerit?! Me siguri ka ardhur me qëllim që të tradhtojë, t’i mësojë të gjitha lëvizjet e tua e të dijë gjithçka bën”.

26 Si doli Joabi prej Davidit, dërgoi kasnecë, që e kthyen Abnerin prej pusit Sira. Davidi nuk e dinte. 27 Kur u kthye Abneri në Hebron, e ndau veçmas Joabi te dera, sikur për t’i thënë diçka në besë, e goditi aty në baqth dhe Abneri vdiq, gjak për gjak me Asaelin, të vëllanë e Joabit.

28 Kur dëgjoi Davidi për ngjarjen e kryer, tha: “Unë dhe mbretëria ime jemi të pafajshëm para Zotit në amshim lidhur me gjakun e Abnerit, birit të Nerit. 29 Gjaku i Abnerit rëntë mbi Joabin dhe mbi mbarë shtëpinë e babait të tij: mos mungoftë kurrë në familjen e tij sëmundja e gonorresë, gërbula; njerëz për furka, i preftë shpata e mos u ngopshin me bukë”. 30 Joabi dhe vëllai i tij, Abisai, e vranë Abnerin, sepse e kishte vrarë vëllanë Asaelin në luftë në Gabaon.

31 Atëherë Davidi i tha Joabit dhe mbarë ushtrisë që ishte me të: “Shqyeni petkat tuaja, veshuni me thasë e vajtoni Abnerin”! Vetë Davidi e ndiqte arkivolin. 32 Kur e varrosën Abnerin në Hebron, Davidi ngriti zërin e vet dhe vajtoi mbi varrin e Abnerit. Qau po ashtu edhe mbarë populli.

33 Mbreti në vajtim duke qarë Abnerin tha:

“A duhej që Abneri të vdiste

me vdekje të të pandershmit?

34 Duart e tua nuk ishin të lidhura,

po as këmbët në pranga nuk i pate:

U vrave siç vritet një keqbërës”.

Atëherë populli mbarë ia plasi vajit mbi të.

35 Mbarë populli iu vu Davidit të hante bukë sa ishte ende ditë, por Davidi u përbetua e tha: “Hyji ma bëftë kështu e edhe më zi, në qoftë se me gojë do të kërkoj bukë ose çdo gjë tjetër deri në perëndimin e diellit”.

36 Mbarë populli e mori vesh këtë gjë. I pëlqeu sikurse edhe gjithçka që bëri mbreti ishte e mirë para syve të mbarë popullit. 37 Mbarë populli si edhe i gjithë Izraeli e mori vesh atë ditë se mbreti nuk kishte gisht në vrasjen e Abnerit, birit të Nerit.

38 Mbreti atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “A thua nuk e dini se ra sot i vrarë një prijës, madje ndër më të mëdhenjtë në Izrael? 39 Mjerisht unë ende jam i ligshtë, megjithëse jam i shuguruar mbret, kurse këta bijtë e Sarvisë janë më të fortë se unë. Atij që e bën të keqen, ia ktheftë Zoti sipas keqbërësësisë së tij”.

2 i Samuelit: 4. Vrasja e Isbaalit

4

1 Kur Isbaali, biri i Saulit, mori vesh se kishte mbetur Abneri në Hebron, humbi krejt guximin dhe mbarë popullit i hyri tmerri. 2 Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Baanë e tjetri Rekab. Ishin bijtë e Remonit Berotas, nga fisi i Beniaminit, sepse Beroti mbahet me Beniaminin. 3 Berotasit kishin ikur në Getaim dhe aty qëndruan si të ardhur deri në këtë kohë.

4 Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë çalaman në të dy këmbët. Ishte pesë vjeç kur prej Jezrahelit erdhi lajmi i zi i Saulit e i Jonatanit. Mëndesha e tij e kapi fëmijën dhe iku; por, ndërsa po nxitonte të ikte, i ra përtokë dhe mbeti çalaman. Quhej Meribaal.

5 U çuan, pra, bijtë e Remon Berotit, Rekabi e Baana, dhe erdhën për pikë të vapës te shtëpia e Isbaalit dhe hynë brenda ndërsa ai po flinte në shtrat në pushimin e mesditës. Derëtaren, edhe atë e kishte zënë gjumi duke pastruar grurin. 6 Kështu ata hynë brenda në shtëpi dhe Rekabi e vëllai i tij Baani e goditën në baqth e ikën. 7 Kur kishin hyrë ata në shtëpi, ai po flinte në shtratin e vet në dhomë. Ata e goditën dhe e vranë, ia morën kokën dhe gjithë natën udhëtuan nëpër Arabë.

8 Kokën e Isbaalit ia çuan Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: “Ja, koka e Isbaalit, birit të Saulit, armikut tënd, i cili kërkonte të të vriste. Por Zoti deshi t’i lejonte hakmarrje imzotit mbret në këtë ditë mbi Saulin dhe mbi farën e tij”.

9 E Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanës, vëllait të tij, bijve të Remonit berotas, dhe u tha: “Pasha Zotin e gjallë që më shpëtoi nga çdo rrezik, 10 në qoftë se atë që më lajmëroi e më tha: ‘Sauli ka mbetur!’ e që kujtonte se po më sjell një sihariq, e kapa dhe e vrava në Siceleg ‑ të cilit i thoshte mendja se do ta paguaja për lajmin ‑ 11 po çka do t’ju bëj tani njerëzve të pashpirt që e vranë njeriun pa u pasë bërë kurrfarë faji, madje në shtëpinë e vet e në shtratin e vet?! Po a nuk do ta kërkoj gjakun e tij prej duarve tuaja e nuk do t’ju zhduk nga kjo botë”?! 12 Atëherë Davidi u dha urdhër ushtarëve të vet dhe i vranë. Pastaj u prenë duart e këmbët dhe i varën te liqeni në Hebron. Pastaj morën kokën e Isbaalit dhe e varrosën në varrezën e Abnerit në Hebron.

2 i Samuelit: 5. Davidi i shuguruar mbret i Izraelit

5

1 Atëherë erdhën të gjitha fiset e Izraelit

te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. 2 Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’”.

3 Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. 4 Davidi kishte tridhjetë vjet kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi për dyzet vjet: 5 në Hebron mbretëroi mbi Judën shtatë vjet e gjashtë muaj, kurse në Jerusalem mbretëroi tridhjetë e tri vjet mbi mbarë Izraelin e Judën.

Pushtimi i Jerusalemit

6 U çua mbreti dhe të gjithë njerëzit që ishin me të e shkoi në Jerusalem kundër jebusenjve që popullonin vendin. Ata i thanë Davidit: “Ti s’do të hysh këtu, por do të të dëbojnë të verbërit e të çalët”, që donin të thoshin: “S’do të mund të hyjë këtu Davidi”. 7 Por Davidi e pushtoi kështjellën Sion: d. m. th. qytetin e Davidit. 8 Davidi kishte thënë atë ditë: “Secili që do t’i vrasë jebusenjtë, le t’i kapë nëpër kanal të kroit... ndërsa të çalët dhe të verbërit i urren shpirti i Davidit”. Këndej edhe u trajtua thënia: “I verbëri dhe çalamani të mos hyjnë në shtëpi”. 9 Davidi banoi në kështjellë dhe e quajti Qyteti i Davidit. Atëherë Davidi i ndërtoi muret rrethuese prej Milos e brenda. 10 Davidit gjithnjë i rritej pushteti, sepse Zoti, Hyji i ushtrive, ishte me të.

11 Po edhe mbreti i Tirit Hirami dërgoi te Davidi delegatë me dru cedri, gdhendës e muratorë mjeshtër muri dhe ia ndërtuan shtëpinë e Davidit. 12 Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte përforcuar mbret mbi Izraelin dhe se e kishte lartësuar mbretërinë e tij prej dashurisë që kishte ndaj popullit të vet Izraelit.

Djemtë e Davidit në Jerusalem

13 Pasi erdhi Davidi prej Hebronit, mori edhe ja e gra të tjera prej Jerusalemit. Kështu i lindën Davidit edhe të tjerë djem e vajza. 14 Dhe ja, emrat e atyre që i lindën Davidit në Jerusalem: Samuai, Sobabi, Natani, Salomoni, 15 Jebahari, Elisuai, Nafegu, 16 Jafiai, Elisama, Elioda dhe Elifaleti.

Fitorja kundër filistenjve

17 Kur morën vesh filistenjtë se Davidin e kishin shuguruar mbret mbi Izraelin, dolën të gjithë për ta kapur Davidin. Kur dëgjoi Davidi për këtë gjë, zbriti në kështjellë. 18 Kurse filistenjtë u shpërndanë nëpër luginën Rafaim. 19 Davidi e pyeti Zotin e tha: “A t’i sulmoj filistenjtë? A do t’i lëshosh në dorën time”? Zoti iu përgjigj Davidit: “Sulmoji, sepse me siguri do t’i lëshoj filistenjtë në dorën tënde”. 20 Kështu, pra, Davidi erdhi në Baalfarasim /d. m. th. Zoti i depërtimeve/, i mundi dhe tha: “Depërtoi Zoti nëpër armiqtë e mi para meje siç depërton uji”. Për këtë arsye atij vendi iu vu emri Baalfarasim. 21 I lanë aty idhujt e vet e Davidi dhe njerëzit e tij i morën.

22 Filistenjtë u ngjitën përsëri dhe u shpërndanë nëpër luginën e refaimëve. 23 Davidi e pyeti përsëri Zotin. Zoti iu përgjigj: “Mos i sulmo ballë për ballë, por sillu pas shpinës së tyre e dilu në sulm nga ana e pyllit të balsamëve. 24 Kur ta dëgjosh krismën e hapave përmbi majat e balsamëve, atëherë sulu në përleshje, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për t’i goditur ushtritë e filistenjve”.

25 Davidi veproi siç i kishte urdhëruar Zoti dhe i shfarosi filistenjtë që nga Gabaoni deri në hyrje të Gezerit.

2 i Samuelit: 6. Arka e Besëlidhjes në Jerusalem

6

1 Përsëri Davidi i bashkoi të gjithë të zgjedhurit e Izraelit ‑ tridhjetë mijë vetë. 2 U ngrit Davidi e shkoi bashkë me ushtrinë që ishte me të në Baalë të Judës për ta sjellë prej andej Arkën e Hyjit, mbi të cilën qe thirrur Emri i Zotit të ushtrive, që rri mbi kerubinë. 3 Pasi e morën Arkën e Hyjit nga shtëpia e Abinadabit, që ishte mbi kodër, e vunë në karrocë të re. Oza dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, e përcillnin karrocën: 4 Oza ecte përskaj Arkës, kurse Ahioi i printe. 5 Ndërkaq Davidi dhe mbarë Izraeli kërcenin në praninë e Zotit, këndonin gjithsa kishin fuqi të përcjellë me cetra, lira, tupana, dajre e cimbale.

6 Porse kur arritën te lëmi i Nakonit, Oza shtriu dorën nga Arka e Hyjit dhe u mbajt, sepse qetë, duke u ngutur, gati e rrëzuan. 7 Por zemërimi i Zotit u ndez kundër Ozës dhe e goditi për shkak të guximit të tepruar dhe vdiq po aty përskaj Arkës së Hyjit. 8 Davidit i erdhi keq që Zoti e shitoi Ozën. Ai vend u quajt Faresoza /d. m. th. JaOzës/ deri në ditën e sotme.

9 Atë ditë Davidin e kapi frika e Zotit e tha: “Si do të hyjë tek unë Arka e Zotit”? 10 E nuk e çoi Arkën e Zotit te vetja në qytetin e Davidit, por e çoi në shtëpinë e Obededom Geteut. 11 Kështu Arka e Zotit qëndroi në shtëpinë e Obededom Geteut tre muaj dhe Zoti e bekoi Obededomin dhe mbarë familjen e tij.

12 E lajmëruan Davidin mbret: “Zoti e bekoi Obededomin me gjithçka ka për shkak të Arkës së Zotit”. Atëherë shkoi Davidi dhe e solli prej shtëpisë së Obededomit Arkën e Zotit në qytetin e Davidit me gëzim të madh. 13 Posa bënë gjashtë hapa, ata që bartnin Arkën e Zotit, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. 14 Davidi vallëzonte gjithsa kishin fuqi para Zotit. Porse Davidi ishte i mbështjellë vetëm me shpinor të linjtë. 15 Kështu Davidi dhe mbarë Izraeli e bartnin Arkën e Zotit duke brohoritur e duke i rënë borisë.

16 Kur Arka e Zotit hyri në qytetin e Davidit, Mikola, bija e Saulit, duke këqyrur nëpër dritare, e pa Davidin tek hidhej e kërcente para Zotit dhe e përbuzi në zemrën e vet.

17 Atëherë e shtinë Arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj në mes të tendës që kishte ngrehur Davidi për të. Atëherë Davidi kushtoi para Zotit fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. 18 Kur mbaroi së flijuari flinë e shkrumbimit dhe flitë e pajtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive. 19 Atëherë i ndau shumicës së Izraelit, secilit burrë e secilës grua nga një bukë, nga një copë mish dhe nga një ëmbëlsirë rrushi. U shpërnda mbarë populli dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.

20 Kur u kthye Davidi për të bekuar edhe familjen e vet, i doli para Mikola, bija e Saulit, e i tha Davidit: “Oh, sa i madhërishëm qe sot mbreti i Izraelit duke e zbuluar veten para shërbëtoreve të shërbëtorëve të vet sikurse zbulohet një rrugaç”! 21 Davidi iu përgjigj Mikolës: “Unë vallëzoj para Zotit. Qoftë bekuar Zoti që më zgjodhi mua në vend të tët eti e të mbarë shtëpisë së tij, për të më bërë prijësin e mbarë popullit të Zotit, Izraelit. 22 Do të luaj para Zotit e do të bëhem edhe më i përvuajtur se ç’u bëra e do ta përul vetveten para syve të mi, por para shërbëtoreve, për të cilat ti po thua, do të dukem edhe më i madhërishëm”. 23 Prandaj Mikola, e bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri në ditën e vdekjes së vet.

2 i Samuelit: 7. Profecia e Natanit

7

1 Tashti, kur mbreti zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, 2 i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura”!

3 Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty”.

4 Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 5 “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? 6 Por unë nuk kam banuar kurrë në shtëpi që prej asaj dite që nxora Izraelin prej tokës së Egjiptit deri në këtë ditë, por endesha nën Tendë ja më ja. 7 Nëpër të gjitha ato vende që i përshkova me bijtë e Izraelit, a i kam thënë ndonjëherë ndonjërit prej Gjyqtarëve të Izraelit, të cilit i kisha urdhëruar të kullotë popullin tim Izraelin: Pse nuk ma ndërtuat shtëpinë prej cedri? 8 Tani kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, 9 dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i shfarosva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë. 10 Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, 11 prej ditës kur i caktova Gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë. 12 Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme. 13 Ai do të m’ia ndërtojë emrit tim Shtëpinë, kurse unë do ta bëj të amshueshëm fronin e tij mbretëror. 14 Unë do t’i jem babë e ai do të jetë bir. Nëse do të bëjë ndonjë të keqe, do ta ndëshkoj me thupër njerëzish e me të rëna që japin bijtë e njeriut. 15 Porse përkrahjen time s’do t’ia mungoj, siç ia mungova Saulit, të cilin e hoqa prej fronit para teje. 16 Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim”.

17 Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe tërë këtë vëgim.

Lutja e Davidit

18 Atëherë mbreti David hyri e u ul para Zotit dhe tha: “Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu? 19 Madje edhe kaq t’u duk pak për sytë e tu, o Zot Hyj! por ma dhe fjalën edhe për familjen e shërbëtorit tënd të një ardhmërie të largët: kjo është një ligj për njeriun, o Zot Hyj! 20 Çfarë do të mund të thoshte tjetër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot Hyj! 21 Për shkak të fjalës sate e në saje të zemrës sate i ke kryer të gjitha këto punë të mrekullueshme duke ia dëftuar shërbëtorit tënd. 22 Me të vërtetë je i madhërueshëm, o Zot Hyj, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe përveç teje s’ka tjetër Perëndi, mu ashtu siç e kemi dëgjuar me veshët tanë! 23 A ka ndokund vetëm edhe një komb tjetër përmbi tokë porsi populli yt Izraeli, për të cilin të ketë ardhur Hyji për ta shpërblyer atë për popull të vetin, për ta bërë të përmendur, duke kryer për të vepra të madhërishme e të tmerrshme duke i zhdukur popujt idhujtarë dhe zotat e tyre para popullit tënd që e shpërbleve për vete prej robërisë së Egjiptit? 24 Ti e bëre popullin tënd, Izraelin, popull të përhershëm për vete dhe ti, o Zot, u bëre Hyji i tyre. 25 Tani, o Zot, fjalën që ke dhënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij, çoje në vend përgjithmonë e bëj siç je zotuar. 26 Le të madhërohet Emri yt për amshim e le të thuhet: ‘Zoti i ushtrive është Hyji i Izraelit’! Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd Davidit le të jetë e qëndrueshme për amshim para Teje! 27 Në të vërtetë, ti, o Zot i ushtrive, Hyji i Izraelit, i ke bërë këtë zbulim shërbëtorit tënd dhe i ke thënë: ‘Unë do të të ndërtoj një shtëpi’! Prandaj edhe shërbëtori yt e mori guximin të ta drejtojë këtë lutje. 28 E tani, o Zot Hyj, ti je Hyj dhe fjalët e tua janë të vërteta e ti i premtove shërbëtorit tënd këto të mira. 29 Denjohu, pra, ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të jetë përherë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o Zot Hyj, e ke dhënë fjalën e me bekimin tënd do të jetë për amshim e bekuar shtëpia e shërbëtorit tënd”.

2 i Samuelit: 8. Luftërat e Davidit

8

1 Pas kësaj Davidi i mundi filistenjtë dhe i nënshtroi. Prej duarve të filistenjve Davidi mori Getin dhe qytetet e tija. 2 I mundi edhe moabët dhe i mati me litar duke i shtrirë për tokë: i mati dy litarë për t’i vrarë e një litar të plotë për t’i lënë në jetë. Kështu Moabi u bë skllav i nënshtruar për t’i paguar të dhjetat.

3 Davidi e mundi edhe Adadezerin, birin e Rohobit, mbretin e Sobës, kur doli për ta shtrirë sundimin e vet mbi lumin Eufrat. 4 Davidi i zuri robër lufte një mijë e shtatëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Të gjithë kuajve të karrocave ua preu dizgoret; por prej tyre kurseu njëqind karroca. 5 Erdhën edhe sirianët e Damaskut për t’i ndihmuar Adadezerit, mbretit të Sobës, dhe Davidi vrau njëzet e dy mijë vetë prej sirianëve. 6 Davidi vuri qeveritarë në Sirinë e Damaskut dhe sirianët u bënë skllevër të Davidit dhe i paguanin të dhjetat.

Çkado që ndërmerrte Davidi, Zoti i ndihmonte në të gjitha.

7 Davidi i mori armët e arta që i kishin ushtarët e Adadezerit dhe i solli në Jerusalem. 8 Po ashtu edhe prej Tebahut e prej Berotait, qytete të Adadezerit, mbreti David solli bronz me shumicë të madhe fort.

9 Kur dëgjoi mbreti i Ematit, Tou, se Davidi i kishte thyer të gjitha fuqitë e Adadezerit, 10 Tou e dërgoi birin e vet Adoramin te Davidi mbret, për t’i shprehur përgëzimet e tija e për t’i dhënë nder që kishte luftuar kundër Adadezerit dhe e kishte mundur, sepse Adadezeri ishte armik lufte i Tout. Adorami i solli enë të argjendta, enë të arta e enë të bronzta. 11 Edhe këto Davidi mbret ia kushtoi Zotit bashkë me arin e argjendin që ia kishte kushtuar më parë e që kishte marrë prej të gjithë popujve që i kishte nënshtruar: 12 prej sirianëve, moabëve, prej bijve të Amonit e filistenjve, prej amalekasve dhe prej duarve të Adadezerit, birit të Rohobit, mbretit të Sobës.

13 Davidi gjithashtu ia rriti vetes zërin edhe kur, ndërsa po kthehej ngadhënjimtar mbi Idumenë, i vrau tetëmbëdhjetë mijë vetë në luginën e Kripës. 14 Në Idumé caktoi qeveritarët: kështu mbarë Idumeja ra nën sundimin e Davidit.

Çkado që ndërmerrte Davidi, Zoti i ndihmonte në të gjitha.

Qeverisja e mbretërisë

15 Davidi mbretëronte mbi mbarë Izraelin. Vinte në zbatim të drejtën dhe drejtësinë kundrejt mbarë popullit të vet. 16 Joabi, biri i Sarvisë, ishte në krye të ushtrisë, kurse Jozafati, biri i Ahiludit, ditarmbajtës. 17 Sadoku, biri i Akitobit dhe Abiatari, biri i Akimelekut, ishin priftërinj, kurse sekretar ishte Sarajai. 18 Banaja, biri i Jojadës, sundonte keletët dhe feletët. Kurse bijtë e Davidit ishin priftërinj.

2 i Samuelit: 9. Mirësia e Davidit ndaj birit të Jonatanit

9

1 Davidi pyeti: “A do të jetë ndokush që ka mbetur gjallë prej shtëpisë së Saulit, të cilit të mund t’i bëj ndonjë të mirë për shkak të Jonatanit”? 2 Tashti ishte një shërbëtor i shtëpisë së Saulit që quhej Sibë. Këtë e thirri mbreti dhe i tha: “A mos je ti Siba”? Ai iu përgjigj: “Unë jam, shërbëtori yt”. 3 Atëherë mbreti i tha: “A e di mos ka mbetur ndokush gjallë prej familjes së Saulit, që ta çoj në vend me të besën e Hyjit”? Siba iu përgjigj mbretit: “Është gjallë biri i Jonatanit që çalon në të dy anët”. 4 “E ku është?” ‑ i tha. E Siba i tha mbretit: “Është në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit në Lodabar”.

5 Davidi mbret çoi dhe e mori prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, prej Lodabarit.

6 Kur erdhi Meribaali, biri i Jonatanit të Saulit, te Davidi, ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi. Davidi i tha: “Meribaal”! Ai iu përgjigj: “Këtu jam shërbëtori yt”. 7 E Davidi vazhdoi: “Të mos kesh frikë, sepse dua ta çoj në vend besën ndaj teje që kam lidhur me Jonatanin, babain tënd. Do t’i kthej të gjitha tokat e Saulit, gjyshit tënd, kurse ti për jetë do të hash bukë në tryezën time. 8 Ai u përkul dhe tha: “Po kush jam unë, shërbëtori yt, që po i prir sytë mbi një qen të ngordhur siç jam unë”?

9 Atëherë mbreti e thirri Sibën, shërbëtorin e Saulit, e i tha: “Gjithçka ka qenë e Saulit dhe e mbarë familjes së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd. 10 Punoja, pra, tokën, ti e bijtë e tu e shërbëtorët e tu e mblidhi prodhimet që shtëpia e zotërisë tënd të ketë me se të ushqehet. Kurse Meribaali, djali i zotërisë tënd, do të hajë bukë gjithmonë në tryezën time”. Siba kishte pesëmbëdhjetë djem e njëzet shërbëtorë. 11 Atëherë Siba i tha mbretit: “Gjithë ç’i ke urdhëruar, zotëria im mbret, shërbëtorit tënd, po ashtu do të bëjë shërbëtori yt”.

Kështu, pra, Meribaali ushqehej në tryezën e mbretit si të ishte një prej djemve të mbretit.

12 Meribaali kishte një djalë të vogël që quhej Mikë. Të gjithë ata që banonin në shtëpinë e Sibës, ishin shërbëtorët e Meribaalit. 13 Porse Meribaali jetonte në Jerusalem, sepse vazhdimisht ushqehej në tryezën e mbretit. Ishte i çalë nga të dyja këmbët.

2 i Samuelit: 10. Fyerje të dërguarve të Davidit

10

1 Pas këtyre ngjarjeve, vdiq mbreti i amonëve dhe në vend të tij mbretërimin e mori i biri Hanoni. 2 Atëherë Davidi tha: “Dua të dëftohem i njerëzishëm me Hanonin, birin e Naasit, sikurse edhe i ati i tij u dëftua i njerëzishëm me mua”. Kështu pra, Davidi dërgoi disa njerëz që në emër të tij t’i shprehnin ngushëllimet për vdekjen e t’et. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në tokën e bijve të Amonit, 3 prijësit e bijve të Amonit i thanë Hanonit, zotërisë së tyre: “A ta thotë mendja se Davidi i nisi këta të të shprehin ngushëllime për nderim të babait tënd? A thua s’i dërgoi Davidi shërbëtorët e vet tek ti që të vëzhgojnë e të marrin hetime mbi qytet për ta shkatërruar”? 4 Atëherë Hanoni i kapi shërbëtorët e Davidit, ua rroi gjysmën e mjekrrës, ua shkurtoi petkat përgjysmë ‑ deri në mollaqe dhe i ktheu prapa. 5 Kur e lajmëruan Davidin, ky dërgoi disa vetë para tyre ‑ sepse njerëzit ishin të çnderuar tepër rëndë ‑ me këtë porosi: “Qëndroni në Jerikon derisa t’ju rritet mjekrra e pastaj kthehuni”.

Lufta e parë kundër amonëve

6 Duke parë amonët se kishin shkaktuar kundër vetes mërinë e Davidit, çuan e morën me pagesë sirianë prej Betrohobit, sirianë prej Sobës njëzet mijë këmbësorë, prej mbretit Maakës një mijë dhe njerëz prej Tobit dymbëdhjetë mijë. 7 Kur e mori vesh këtë gjë Davidi, dërgoi Joabin me mbarë ushtrinë ‑ trimat më të zgjedhur. 8 Dolën, pra, bijtë e Amonit dhe u vunë në rreshtin e përleshjes mu para derës së qytetit, kurse sirianët prej Sobës e prej Rohobit dhe ushtarët e Tobit e të Maakës qëndronin veçan në fushim. 9 Joabi kur pa se do t’i duhej ta përballonte përleshjen ballë për ballë dhe pas shpine, zgjodhi prej më të zgjedhurve të mbarë Izraelit dhe renditi rreshtin e luftës kundër sirëve: 10 pjesën tjetër të popullit ia dha vëllait të vet Abisait, i cili e renditi rreshtin e luftës kundër amonëve. 11 Joabi tha: “Nëse sirët do të jenë më të fortë se unë, atëherë ti më eja në ndihmë, kurse, në qoftë se amonët do të jenë më të fortë se ti, unë do të të vij në ndihmë. 12 Ji burrë i fortë e të luftojmë trimërisht për popullin tonë dhe për qytetet e Hyjit tonë! E Zoti le të bëjë ashtu si t’i pëlqejë Atij”!

13 Atëherë Joabi dhe njerëzit që ishin me të, u nisën drejt sirëve për t’i sulmuar, por këta ikën para tyre. 14 Por edhe amonët, kur panë se sirëve iu dha ika, u vunë në të ikur edhe ata para Abisait dhe hynë në qytet. Atëherë Joabi hoqi dorë nga lufta kundër bijve të Amonit dhe u kthye në Jerusalem.

Fitorja kundër sirëve

15 Sirët, me të parë se kishin qenë thyer para Izraelit, u mblodhën përsëri të gjithë së bashku. 16 Adadezeri dërgoi dhe i solli sirët që ishin përtej Lumit. Ata erdhën në Elam. Sobaku, që ishte prijës i ushtrisë së Adadezerit, ishte komandanti i tyre. 17 Kur e lajmëruan për këtë Davidin, e mblodhi mbarë Izraelin, e kaloi Jordanin dhe erdhi në Elam. Sirët u vunë në rresht lufte dhe ia filluan përleshjes me Davidin. 18 Por sirët ikën para Izraelit. Davidi i vrau shtatëqind kuaj të mbrehur dhe dyzet mijë këmbësorë. E vrau edhe Sobakun, prijësin e ushtrisë, që mbeti vdekur në fushën e përleshjes. 19 Kur panë mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë Adadezerit, se u mundën nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe u vunë nën skllavërinë e izraelitëve. Sirët i kapi frika dhe s’guxuan më t’u vijnë në ndihmë bijve të Amonit.

2 i Samuelit: 11. Lufta e dytë e amonëve. Mëkati i Davidit

11

1 Tani, në kthim të vitit, në kohën kur mbretërit e kanë zakon të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretëruan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.

2 Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur. 3 Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut. 4 Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastrisë së saj. 5 Pastaj u kthye në shtëpi të vet.

Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: “Ngjiza”!

6 Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: “Dërgoje tek unë Uri Heteun”. Joabi e dërgoi te Davidi Urin. 7 Uri erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës. 8 Atëherë Davidi i tha Urit: “Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua”. Uri doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit. 9 Porse Uri fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.

10 Erdhën dhe e lajmëruan Davidin: “Uri nuk shkoi në shtëpinë e vet”. Atëherë Davidi i tha Urit: “Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?” 11 Uri iu përgjigj Davidit: “Arka, Izraeli e Juda banojnë nën çadra, Joabi, imzot, dhe shërbëtorët e zotërisë tim kanë për dyshek tokën e unë të hyj në shtëpinë time për të ngrënë e për të pirë e për të fjetur me gruan time? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, unë nuk do të bëj një gjë të tillë”. 12 Prandaj Davidi i tha Urit: “Qëndro këtu edhe sot e nesër do të të nis”. Uri qëndroi në Jerusalem edhe atë ditë e të nesërmen. 13 Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.

14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urin. 15 Në letër shkruante: “Vëreni Urin në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë”. 16 Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urin aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë. 17 Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.

18 Atëherë Joabi dërgoi ta njoftojnë Davidin lidhur me rrethanat e përleshjes 19 dhe kasnecit i urdhëroi të thoshte: “Kur t’i kesh treguar mbretit të gjitha këto fjalë lidhur me përleshjen, 20 nëse vë re se mbreti hidhërohet e thotë: ‘Përse iu afruat mureve për të luftuar? A nuk e keni ditur se prej murit hidhen shigjetat? 21 Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerobaalit? A s’qe një grua që ia hodhi prej murit mbi të gurin që sillet të mokrës dhe ai mbeti vdekur në Tebes? Pse iu afruat murit?’, ti thuaji: Edhe shërbëtori yt Uri Heteu mbeti i vrarë”.

22 Shkoi, pra, lajmëtari, arriti te Davidi dhe i tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Joabi. 23 Lajmëtari i tha Davidit: “Sepse armiqtë patën njëfarë epërsie mbi ne, dolën kundër nesh në fushë të larë, por ne bëmë një sulm të furishëm dhe i ndoqëm deri në dyer të qytetit. 24 Atëherë shigjetarët i gjuajtën me shigjeta shërbëtorët e tu nga lart prej murit e mbetën besa disa prej shërbëtorëve të mbretit, madje mbeti i vrarë edhe shërbëtori i mbretit Uri, ai Heteu”. 25 Atëherë Davidi i tha kasnecit: “Kështu i thuaj Joabit: “Mos u prish për këtë punë: lufta ashtu e ka: tani ha shpata këtë, pastaj atë. Sulmoje qytetin më rreptësisht dhe shpartalloje. Edhe ti jepi zemër”.

26 Kur gruaja e Urit mori lajmin se i kishte vdekur Uri, burri i saj, ia bëri vajin. 27 Pasi kaloi koha e zisë, Davidi çoi dhe e solli në shtëpinë e vet dhe ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu Zotit kurrsesi.

2 i Samuelit: 12. Qortimi i Natanit. Pendimi i Davidit

12

1 Zoti e dërgoi Natanin te Davidi. Ky erdhi te Davidi dhe i tha: “Në një qytet jetonin dy vetë. Njëri ishte pasanik e tjetri skamnor. 2 Pasaniku kishte bagëti të imëta e të trasha me shumicë të madhe. 3 Kurse skamnori nuk kishte asgjë tjetër përveç një deleje të vocërr. E kishte blerë dhe e kishte ushqyer. Ishte rritur tek ai bashkë me fëmijët e tij duke ngrënë bukën e tij e duke pirë prej gotës së tij dhe duke fjetur në gjirin e tij. Për të ishte sikur ta kishte pasur bijë. 4 Porse, kur një shtegtar erdhi te pasaniku, ky, duke kursyer bagëtitë e veta të imëta e të trasha për t’i bërë gosti atij shtegtari që kishte ardhur tek ai, shkoi e mori delen e skamnorit dhe i bëri gati bukën njeriut që kishte ardhur tek ai”.

5 Davidi u hidhërua pa masë kundër këtij njeriu e i tha Natanit: “Pasha jetën e Zotit, njeriu që ka bërë këtë punë, meriton vdekjen! 6 Katërfish do ta paguajë delen për arsye se ka bërë një punë të tillë dhe është dëftuar njeri i pashpirt”.

7 Atëherë Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit. 8 Në dorë tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër. 9 Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit! 10 Për këtë arsye kurrën e kurrës nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote. 11 Prandaj kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do të bëj që e keqja jote të vijë mu prej familjes sate! Ndër sy të tu do t’i marr gratë e tua e do t’ua jap të afërmve të tu e do të flenë me gratë e tua në dritën e këtij dielli. 12 Ti, vërtet, e bëre këtë fshehtazi, por unë do ta bëj ballafaqas në sy të mbarë Izraelit, ditën për diell’”!

13 Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit”! E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. 14 Megjithatë, pasi me këtë veprim i bëre të blasfemojnë armiqtë e Zotit, djali që të ka lindur, me siguri do të vdesë”.

15 Atëherë Natani u kthye në shtëpinë e vet.

Vdekja e djalit të Betsabesë. Lindja e Salomonit

Zoti e goditi djalin që gruaja e Urit ia lindi Davidit, dhe u sëmur rëndë. 16 Davidi iu lut Zotit për foshnjën dhe Davidi agjëronte e, kur kthehej në shtëpi, natën e kalonte shtruar për tokë. 17 Krerët e shtëpisë së tij qëndronin përreth tij dhe i thoshin të ngrihej nga toka, por ai nuk dëgjoi as nuk hëngri bukë me ta. 18 Të shtatën ditë vdiq fëmija. Shërbëtorët e tij kishin frikë t’i lajmëronin Davidit se kishte vdekur fëmija. Sepse mendonin: “Derisa foshnja ishte ende gjallë, ne i thoshim, por ai s’na dëgjonte. Po tani si t’i themi: ‘Ka vdekur djali?’ Do të bëjë edhe më zi”!

19 Kur vuri re Davidi se shërbëtorët e tij po pëshpëritnin me njëri-tjetrin, ia preu mendja se foshnja kishte vdekur. U tha shërbëtorëve të vet: “A ka vdekur fëmija”? Ata iu përgjigjën: “Ka vdekur”.

20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la dhe u ja. Pasi i ndërroi petkat, hyri në shtëpinë e Zotit dhe adhuroi. Pastaj u kthye në shtëpinë e vet dhe kërkoi që t’i shtronin bukën dhe hëngri. 21 Shërbëtorët e tij e pyetën: “Ç’po bën ashtu? Ndërsa fëmija ende ishte gjallë ti për shkak të tij agjërove e qaje, kurse tani që ka vdekur foshnja po çohesh e po ha”? 22 Ai tha: “Kur foshnja ishte ende gjallë unë agjëroja dhe qaja sepse mendoja: ‘Kush e di? Ndoshta Zoti do të ketë dhembshuri për mua e do të jetojë fëmija. 23 Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? Pse a mund ta kthej më? Unë do të shkoj tek ai, kurse ai nuk do të kthehet tek unë”.

24 Davidi e ngushëlloi Betsabenë, gruan e vet, hyri tek ajo, ra me të dhe ajo i lindi djalin. Djalit ia ngjiti emrin Salomon. Zoti e deshi Salomonin 25 dhe e dëftoi këtë me anë të Natanit profet. Ky e quajti Jedidjë /domethënë: I dashuri i Zotit/, siç i urdhëroi Zoti.

Pushtimi i Rabës

26 Ndërkaq Joabi e sulmoi Rabën e bijve të Amonit dhe e pushtoi qytetin mbretëror. 27 Atëherë Joabi dërgoi lajmëtarë te Davidi me këto fjalë: “Luftova kundër Rabës dhe e pushtova qytetin e ujërave. 28 Tani bashkoje popullin tjetër, rrethoje e pushtoje qytetin që të mos pushtohet qyteti prej meje e të quhet me emrin tim”.

29 Kështu pra, Davidi e bashkoi mbarë popullin dhe u nis kundër Rabës. E sulmoi dhe e pushtoi. 30 E hoqi prej kokës së Melkomit kezën, që ishte e rëndë një talent ari dhe në të cilën kishte një gur të paçmueshëm dhe keza qe vënë mbi kokë të Davidit. Mori edhe një pre të madhe prej qytetit. 31 Po edhe popullin që ishte, e nxori nga qyteti dhe e dënoi të punonte në skalitje të gurit, në latim me sakica e me sëpata hekuri dhe i caktoi në punim të tullave. Kështu bëri me të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Atëherë Davidi dhe mbarë ushtria u kthyen në Jerusalem.

2 i Samuelit: 13. Amnoni e dhunon motrën e vet Tamarën

13

1 Dhe ja se ç’do të ndodhë pastaj: Amnoni, biri i Davidit, dashurohet në motrën e Absalomit, birit të Davidit, që ishte shumë e bukur dhe quhej Tamarë. 2 Amnoni u ngushtua aq fort për shkak të epshit ndaj motrës së vet Tamarës, saqë ra i sëmurë, e pasi ajo ishte e virgjër, i dukej krejtësisht e pamundshme të bënte ndonjë gjë të pandershme me të. 3 Porse Amnoni e kishte mik njërin që quhej Jonadab, biri i Samës, të vëllait të Davidit, që ishte njeri shumë dinak. 4 Ky i tha: “Pse po fiktohesh e thahesh kështu çdo ditë e më tepër, o djali i mbretit? Pse nuk më tregon mua”? Atëherë Amnoni i tha: “Kam rënë në dashuri në motrën e Absalomit, Tamarën”. 5 Jonadabi iu përgjigj: “Bjer në shtratin tënd dhe shtiru se je i sëmurë. Kur të vijë yt atë të të shohë, ti i thuaj: ‘Po të lutem që të vijë ime motër, Tamara, e të më japë të ha; nëse ajo do të ma përgatisë gjellën ndër sytë e mi, do të ha prej dorës së saj’”.

6 Ra, pra, në të shtruara Amnoni dhe u shtir se ishte i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha mbretit: “Le të vijë, po të lutem, ime motër Tamara e të m’i përgatitë dy petulla para syve të mi dhe do të ha prej duarve të saj”.

7 Atëherë Davidi i çoi fjalë Tamarës që ishte në pallat e tha: “Eja në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji gati të hajë”. 8 Tamara erdhi në shtëpinë e Amnonit, vëllait të vet; ai ishte ratë. Ajo mori miell, e përzjeu dhe i poqi petullat. 9 Atëherë e mori fulteren dhe i zbrazi para tij petullat që i kishte përgatitur. Nuk deshi të hante dhe Amnoni tha: “Largoni jashtë prej meje të gjithë”. Kur i qitën jashtë të gjithë, 10atëherë Amnoni i tha Tamarës: “Ma sill hajen në fjetore që të ha prej dorës sate”. Kështu pra, Tamara i mori petullat që i kishte përgatitur dhe ia çoi Amnonit të vëllait, në fjetore. 11 Kur ia solli ushqimin, e kapi atë dhe i tha: “Eja, bjer me mua, motra ime”. 12 Por ajo iu përgjigj: “Mos, o vëlla, mos më çndero! Një punë e tillë nuk bëhet në Izrael! Mos e bëj këtë poshtërsi! 13 E unë nga do t’ia mbaj nëse më çnderon? E ti do të jesh i pandershëm përgjithmonë në Izrael. Më mirë fol me mbretin e ai s’do të më mohojë të më japë tek ti për grua”.

14 Por ai s’deshi të dëgjonte lutjet e saja: por, pasi ishte më i fuqishëm, e pushtoi dhe ra me të.

15 Atëherë Amnoni e urrejti me një urrejtje të madhe pa masë, kështu që urrejtja me të cilën pastaj e urrejti, ishte shumëfish më e madhe se epshi që e kishte pushtuar më parë. Amnoni i tha: “Çohu e zhduku”! 16 E ajo iu përgjigj: “Mos, vëllai im, se kjo e keqe që po e bën tani kundër meje duke më dëbuar, është e keqe më e madhe se ajo që bëre më parë”. Por ai s’deshi ta dëgjonte; 17 thirri një shërbëtor që i shërbente e tha: “Hidhe këtë jashtë prej meje dhe mbylle derën pas saj”! 18 Kjo ishte e veshur me këmishë deri në fund të këmbëve me mëngë të gjera, sepse kështu e kishin zakon të visheshin vajzat, ende të virgjëra, bijat e mbretit. Kështu shërbëtori i tij e hodhi jashtë dhe mbylli derën pas saj.

19 Tamara mori pluhur dhe qiti në kokë, shqeu këmishën me mëngë të gjera që e kishte veshur, i vuri të dy duart mbi kokën e vet e shkonte rrugës duke bërtirur. 20 Atëherë i tha i vëllai, Absalomi: “A mos qe me ty Amnoni, vëllai yt? Por tani për tani, motër, mos trego: është vëllai yt! Mos e prish mendjen tënde për këtë gjë”! Kështu, pra, Tamara mbeti e braktisur në shtëpinë e Absalomit, të vëllait.

21 Kur i mori vesh Davidi mbret të gjitha këto, u hidhërua deri aty, por s’deshi ta trishtojë Amnonin, birin e vet, sepse e donte psei ishte djali i tij i parë. 22 Madje as Absalomi s’i tha asnjë gjysmë fjale Amnonit, as mirë as keq: veçse Absalomi e urrente Amnonin pse i kishte dhunuar të motrën, Tamarën.

Absalomi e vret Amnonin dhe ikën

23 Pas dy vjetëve, kur i kishte Absalomi qethtarët e deleve në Baalhasor, që është në Efraim, i grishi të gjithë bijtë e mbretit. 24 Shkoi te mbreti dhe i tha: “Ja, është qethja e deleve të shërbëtorit tënd, po të lutem, le të urdhërojë mbreti me shërbëtorët e vet e le të vijë te shërbëtori i tij”. 25 E mbreti i tha Absalomit: “Mos m’u vër, biri im, mos m’u vër që të vijmë të gjithë e të të rëndojmë”. Edhe pse Absalomi iu vu shumë, mbreti nuk deshi të shkonte, por e bekoi. 26 Atëherë Absalomi i tha: “Nëse nuk do të vish ti, të lutem, le të vijë me ne së paku Amnoni, vëllai im”. Por mbreti i tha: “Përse të vijë me ty”? 27 Por, pasi Absalomi iu vu shumë, mbreti lejoi të shkonin me të Amnoni dhe të gjithë bijtë e mbretit.

Absalomi bëri një gosti, vërtet si gosti mbretërish. 28 Por Absalomi u urdhëroi shërbëtorëve të vet: “Vini re: kur të shihni se Amnonin e ka bërë në qejf vera dhe kur unë t’ju them: Goditeni Amnonin e vriteni!, të mos ju kapë frika, sepse unë jam ai që ju urdhëroj: kini guxim e të mos ju lëshojë zemra”! 29 Shërbëtorët e Absalomit bënë kundër Amnonit ashtu siç u urdhëroi Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u çuan, u hipën mushqve të vet dhe ikën.

30 Derisa ata po udhëtonin ende, Davidit i erdhi ky kumt i zi: “Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre”. 31 Atëherë mbreti u ngrit, i shqeu petkat e veta dhe u shtri përtokë. Po ashtu edhe të gjithë shërbëtorët e tij që i shërbenin, i shqyen petkat e veta. 32 Por Jonadabi, biri i Samës, vëllait të Davidit, tha: “Të mos i shkojë mendja Imzotit se janë të vrarë të gjithë djelmoshat, bijtë e mbretit. Është i vrarë vetëm Amnoni, sepse Absalomi e kishte qitur cekën ta bënte këtë që ditën që ia çnderoi të motrën Tamarën. 33 Prandaj Imzot mbreti tani të mos kujtojë as të mos e marrë parasysh këtë lajm: ‘Janë vrarë të gjithë të bijtë e mbretit’, sepse i vrarë është vetëm Amnoni”.

34 Absalomi kishte marrë arratisjen.

Djaloshi që mbante rojën e vëzhgimit, ngriti sytë e vet, kur ja, pa se po vinin një shumicë e madhe njerëzish udhës së Horonaimit duke zbritur shpatit të malit. Shkoi vëzhguesi, e lajmëroi mbretin e i tha: “Po shoh njerëz udhës së Horonaimit”. 35 Atëherë Jonadabi i tha mbretit: “Ja, po vijnë bijtë e mbretit! Gjithçka ka ndodhur si të ka thënë shërbëtori yt”.

36 Posa e kreu fjalën, ia behën bijtë e mbretit dhe, ndërsa po hynin, vajtonin me zë të lartë. Po ashtu edhe mbreti dhe të gjithë oborrtarët e tij, lëshuan një gjëmë shumë të madhe.

37 Absalomi kishte marrë arratinë dhe kishte shkuar te Tolomai, biri i Amiudit, mbret i Gesurit. Davidi e vajtoi djalin e vet për një kohë të gjatë.

Joabi ndërmjetëson që të kthehet Absalomi

38 Kurse Absalomi, pasi iku e shkoi në Gesur, qëndroi atje tre vjet.

39 Zemra e mbretit pushoi ta urrente Absalomin, sepse i ishte lehtësuar dhimbja për vdekjen e Amnonit.

2 i Samuelit: 14. Disa hollësi mbi Absalomin

14

1Joabi, biri i Sarvisë, pa se zemra e mbretit po kthehej nga Absalomi. 2 Atëherë dërgoi në Tekua, e solli një grua të mençur dhe i tha: “Bëj sikur je në zi dhe vishu me petka zie. Mos u lyej me vaj që të dukesh si një grua që për një kohë të gjatë je në zi për të vdekurin. 3 Hyr te mbreti e thuaj kështu”. Dhe Joabi i tregoi çka duhej t’i thoshte.

4 Gruaja nga Tekua, kur hyri te mbreti, ra përpara tij me fytyrë përdhe, u përkul në nderim dhe tha: “Ndore tënde, o mbret”! 5 Mbreti i tha: “Po ç’të ka gjetur”? E ajo iu përgjigj: “Heu, unë e mjera jam një grua e ve: burri më ka vdekur. 6 Shërbëtorja jote ka pasur dy djem, por këta zunë të grinden në fushë dhe askush nuk ndodhi që t’u hynte ndërmjet e kështu njëri i ra tjetrit dhe e la të vdekur. 7 Po tani u ngrit e mbarë vëllazëria kundër shërbëtores sate e thotë: ‘Qite atë që e vrau vëllanë e vet e ta vrasim për gjakun e të vëllait, të cilin e vrau dhe t’ia humbim farën’. Kështu duan ta shuajnë edhe atë shkëndijë që më ka mbetur, me qëllim që të mos i mbetet emri asfarë shenje mbi tokë burrit tim”. 8 Mbreti i tha gruas: “Shko ti në shtëpinë tënde e unë do të jap urdhra lidhur me çështjen tënde”.

9 Gruaja nga Tekua i tha mbretit: “Imzot mbret! E keqja rëntë mbi mua dhe mbi shtëpinë e tim eti, kurse mbreti dhe froni i tij mos paçin farë faji”! 10 E mbreti vijoi: “Atë që të guxojë të të thotë gjë, sille tek unë e më nuk do të guxojë të të prekë”! 11 Por ajo shtoi: “Le ta ketë mirësinë mbreti të përmendë emrin e Zotit, Hyjit të vet, se kërkuesi i gjakut nuk do t’i shumojë vrasjet dhe se assesi nuk do të ma vrasin djalin”. E mbreti u përgjigj: “Pasha Zotin fije floku s’do t’i bjerë në tokë djalit tënd”.

12 Atëherë gruaja vazhdoi: “Më lejo që shërbëtorja jote t’ia thotë zotërisë së vet një fjalë”. I tha: “Fol”! 13 E gruaja tha: “Atëherë e pse mendon kështu kundër popullit të Hyjit? Ndërkaq mbreti duke e dhënë një vendim të tillë e ka rrëfyer veten si fajtor, pasi mbreti nuk bën që të kthehet i arratisuri. 14 Neve na duhet të vdesim dhe jemi porsi uji kur derdhet në tokë, më nuk mund të mblidhet, e Hyji nuk do që ndokush ta humbasë jetën, por tërheq vëmendjen që të mos humbasë plotësisht i dëbuari. 15 Tashti erdha për t’ia thënë mbretit zotërisë tim këtë fjalë, sepse populli ma futi frikën. Shërbëtorja jote tha me vete: ‘Do të flas me mbretin, ndoshta mbreti ia dëgjon fjalën skllaves së vet. 16 Sepse mbreti do ta dëgjojë e do ta shpëtojë shërbëtorin e vet prej dorës së atij që do ta shlyejë atë dhe të birin e saj prej trashëgimit të Hyjit. 17 Prandaj edhe mendoi skllavja jote: ‘Fjala e mbretit, zotërisë tim, le të ma kthejë qetësinë e shpirtit’. Sepse porsi engjëlli i Hyjit i tillë është mbreti, zotëria im, që e dëgjon të mirën e të keqen. Zoti, Hyji yt, qoftë me ty”.

18 Atëherë mbreti iu drejtua gruas: “Mos më fsheh asgjë nga ato që tani dua të të pyes”. Gruaja i tha: “Le të pyesë imzoti mbret”. 19 E mbreti vijoi: “A mos është me ty në të gjitha këto dora e Joabit?” Gruaja u përgjigj e tha: “Pasha jetën tënde, imzot e mbret, s’është me të vërtetë e mundur të shmanget as djathtas as majtas prej të gjitha atyre që tha imzot mbreti; vërtet shërbëtori yt Joabi më urdhëroi dhe ai vetë m’i mësoi t’i them të gjitha këto fjalë unë skllavja jote. 20 Për t’i dhënë çështjes një pamje tjetër, shërbëtori yt Joabi e bëri këtë. Por ti, imzot, je vetë i dijshëm, ke dijeni porsi engjëlli i Hyjit për të kuptuar gjithçka që ndodh përmbi tokë”.

21 Atëherë mbreti i tha Joabit: “Mirë, ashtu edhe po bëj. Shko, pra, e thirre djaloshin Absalom”. 22 Atëherë Joabi ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi dhe e bekoi mbretin. Joabi tha: “Sot e mori vesh plotësisht shërbëtori yt se gjeta hir para syve të tu, imzot e mbret! Ia dëgjove fjalën shërbëtorit tënd”.

23 Kështu pra, Joabi u ngrit, shkoi në Gesur dhe e solli Absalomin në Jerusalem. 24 Porse mbreti tha: “Le të kthehet në shtëpinë e vet, por të mos dalë para syve të mi”. Kështu Absalomi u kthye në shtëpinë e vet dhe nuk doli para syve të mbretit.

Disa hollësi mbi Absalomin

25 E në mbarë Izraelin nuk kishte një burrë tjetër aq të bukur si Absalomi për të cilin do të mund të thuheshin aq fjalë lavdie: prej fundit të këmbës e deri në majë të kresë s’kishte asnjë mungesë. 26

E kur i qethte flokët ‑ e i qethte një herë në vit, sepse i bëheshin tepër të rëndë ‑ i peshonte flokët e vet: peshonin dyqind sikla të masës së mbretit. 27 Absalomit i lindën tre djem e një vajzë, e cila quhej Tamarë. Ishte shumë e pashme.

Absalomi fiton faljen

28 Absalomi qëndroi në Jerusalem dy vjet dhe mbretit nuk i doli ndër sy. 29 Atëherë çoi e thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por Joabi nuk dëgjoi të shkojë tek Absalomi. Dërgoi për së dyti e, kur ai prapë s’dëgjoi të vijë, 30 u tha shërbëtorëve të vet: “Shikoni: ara e Joabit është afër arës sime dhe është e mbjellë me elb. Shkoni e jepni zjarr”. Shërbëtorët e Absalomit ia dogjën elbin Joabit. Kur shkuan shërbëtorët e Joabit, i shqyen petkat e veta e thanë: “Shërbëtorët e Absalomit ia futën zjarrin arës”!

31 Atëherë Joabi u çua dhe shkoi në shtëpi të Absalomit dhe i tha: “Pse e dogjën shërbëtorët e tu elbin tim me zjarr”? 32 Absalomi iu përgjigj Joabit: “Unë dërgova tek ti njerëzit e t’u luta të vije tek unë me qëllim që të të dërgoja te mbreti për t’i thënë: ‘Pse u ktheva ndopak prej Gesurit? Më mirë do të kishte qenë për mua të isha ende atje’. Po të lutem, pra, bëj që ta shoh fytyrën e mbretit. Nëse jam fajtor, le të më vrasë”! 33 Joabi hyri të mbreti dhe ia tha këto fjalë. Mbreti çoi dhe e thirri Absalomin, hyri tek ai, ra më fytyrë përdhe para tij në shenjë nderimi e mbreti e përqafoi Absalomin.

2 i Samuelit: 15. Rebelimet e Absalomit

15

1 Pas kësaj Absalomi bëri karrocë e kuaj dhe i bashkoi pesëdhjetë vetë që vraponin para tij. 2 Absalomi ngrihej herët në mëngjes e qëndronte mbanë udhës që çon te dyert e qytetit. Secilin njeri që kishte ndonjë çështje dhe po shkonte te mbreti në gjyq, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: “Prej cilit qytet je ti”? Ai i përgjigjej: “Jam prej këtij ose atij fisi, unë shërbëtori yt”. 3 Absalomi i thoshte: “A po sheh? Fjalët e tua janë të mira dhe të drejta, por gjë s’të vlen pasi askush s’është nga ata të mbretit i caktuar që të ta dëgjojë fjalën”. Pastaj shtonte Absalomi: 4 “Oh, sikur të më bënin mua gjykatës të vendit! Secili që do të kishte ndonjë ankesë ose gjyq, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi”. 5 E kur i afrohej ndokush për t’i shprehur nderim me përulje, ai shtrinte dorën e vet, e kapte, e ngrinte lart dhe e përqafonte. 6 Kështu bënte me të gjithë izraelitët që shkonin në gjyq te mbreti. Në këtë mënyrë Absalomi i bënte për vete zemrat e izraelitëve.

Kryengritja e Absalomit

7 Tashti, pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: “Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për t’i kryer kushtet që i kam bërë Zotit. 8 Sepse shërbëtori yt, kur ishte në Gesur të Sirisë, u zotua kështu: ‘Nëse Zoti më kthen në Jerusalem, do t’i flijoj Zotit’”. 9 Mbreti iu përgjigj: “Shko në paqe”! Absalomi u ngrit dhe shkoi në Hebron.

10 Atëherë Absalomi dërgoi lajmëtarë në të gjitha fiset e Izraelit me këtë porosi: “Posa ta dëgjoni zërin e borisë, thoni: ‘Absalomi është bërë mbret në Hebron’”! 11 Porse me Absalomin kishin shkuar prej Jerusalemit dyqind vetë, të grishur, por që s’dinin asgjë për sa po përgatitej. 12 Absalomi çoi dhe e thirri Akitofelin prej Gilos, këshilltarin e Davidit, prej qytetit të tij, Gilos, për të marrë pjesë në flitë e tija. U bë kështu një përbetim shumë i rrezikshëm dhe numri i përkrahësve të Absalomit po shtohej.

Ikja e Davidit

13 Atëherë ia behu te Davidi kasneci me këtë lajm: “Me gjithë zemër mbarë Izraeli po shkon pas Absalomit”. 14 Atëherë Davidi u tha oborrtarëve të vet që ishin me të në Jerusalem: “Çohuni të ikim! sepse përndryshe askush prej nesh nuk do të shpëtojë prej duarve të Absalomit! Shpejtoni të dalim që ai të mos jetë më i shpejtë e të na zërë, se atëherë do të na rrënojë e mbarë qytetin do ta kalojë me teh të shpatës”. 15 Oborrtarët e mbretit iu përgjigjën: “Gjithësi ta gjejë se është më mirë zotëria ynë, mbreti, shërbëtorët e tu janë gati”! 16 Kështu, pra, doli mbreti dhe mbarë familja e tij pas tij dhe mbreti i la dhjetë gratë ja për t’ia ruajtur shtëpinë. 17 Si doli mbreti dhe mbarë populli pas tij, shkuan e zunë vend tek e sprasmja shtëpi. 18 Të gjithë oborrtarët e tij u ndalën pranë tij. Të gjithë keretët, feletët, mbarë geteasit ‑ gjashtëqind burra që e kishin ndjekur prej Getit, kaluan përpara mbretit.

19 Mbreti e pyeti Etai Geteasin: “Pse po vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe qëndro te mbreti, sepse je i huaj, madje i ikur prej vendit tënd. 20 Dje ke arritur e sot të të shtrëngoj të endesh me ne pasi unë po shkoj nga të më bëjnë sytë dritë. Kthehu dhe ktheji vëllezërit e tu me ty e Zoti ta dëftoftë dashurinë e vet e besnikërinë”.

21 Por Etai iu përgjigj kështu mbretit: “Pasha Zotin e pashajetën e zotërisë tim, mbretit, kudo që të jetë zotëria im, mbreti, qoftë në vdekje dhe qoftë në jetë, po aty do të jetë edhe shërbëtori yt”.

22 Atëherë Davidi i tha Etait: “Mirë, pra kalo!” Dhe Etai Geteasi kaloi me të gjithë trimat e tij e me të gjithë fëmijët që ishin me të.

23 Të gjithë qanin me zë të lartë dhe mbarë populli kalonte. Po edhe mbreti po e kalonte përroin Cedron e mbarë populli ecte përpara udhës drejt shkretëtirës.

Fati i Arkës së Besëlidhjes

24 Erdhi edhe Sadoku dhe mbarë levitët me të duke bartur Arkën e Besëlidhjes së Hyjit. Ata e ulën Arkën e Hyjit dhe Abiatari kushtoi fli ndërkohë që mbarë populli po dilte prej qytetit. 25 Atëherë mbreti i tha Sadokut: “Ktheje Arkën e Hyjit në qytet. Nëse do të gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë dhe do të ma dëftojë atë dhe banesën e saj. 26 Po nëse thotë: ‘Nuk më pëlqen’, jam gati: le të bëjë me mua siç është mirë para syve të tij”. 27 Atëherë mbreti i tha Sadokut prift: “Dëgjo këtu: kthehu në paqe në qytet! Le të kthehet edhe Akimaasi, yt bir, dhe Jonatani, djali i Abiatarit: këta dy bijtë tuaj me ju. 28 Kurse unë do të ndalem te shtigjet e shkretëtirës, derisa të më vijë ndonjë lajm prej jush”. 29 Kështu Sadoku dhe Abiatari e kthyen Arkën e Hyjit në Jerusalem dhe qëndruan atje.

Davidi siguron përkrahjen e Kusait

30 Davidi po ngjitej përpjetës së Malit të Ullinjve duke qarë, me kokë zbuluar e me këmbë të zbathura. Po ashtu edhe mbarë populli që ishte me të me kokë zbuluar ngjitej duke qarë. 31 E lajmëruan Davidin se edhe Akitofeli ishte në përbetim me Absalomin. Davidi u lut: “Po të lutem, o Zot, bëji të marra këshillat e Akitofelit”!

32 Sapo doli Davidi në majën e malit, ku adhurohet Hyji, kur ja, i doli në takim Kusai Arakiti. I kishte shqyer petkat dhe kokën e kishte bërë me pluhur. 33 Atëherë Davidi i tha: “Nëse do të vish me mua, do të më bëhesh barrë; 34 por nëse kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: ‘Do të jem shërbëtori yt, o mbret! Më parë isha shërbëtori i tët eti, por tani do të jem shërbëtori yt’, kështu do të mund t’i sjellësh këshillat e Akitofelit në të mirën time. 35 Me ty janë priftërinjtë Sadoku dhe Abiatari. Gjithçka të dëgjosh se flitet në pallatin e mbretit, tregoji Sadokut e Abiatarit, priftërinjëve. 36 Me ta janë edhe dy të bijtë e tyre: Akimaasi i Sadokut dhe Jonatani i Abiatarit: me anë të tyre më ço fjalë për gjithçka të dëgjoni”.

37 Kështu, pra, ndërsa Kusai, miku i Davidit, arriti në qytet, po ashtu edhe Absalomi hyri në Jerusalem.

2 i Samuelit: 16. Davidi dhe Siba

16

1 Sapo Davidi e kaloi paksa majën e malit, dhe ja, Siba, shërbëtori i Meribaalit, po i del në takim. Kishte dy gomarë të ngarkuar. Bartnin dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një rrëshiq me verë. 2 Mbreti i tha Sibës: “Çfarë t’u deshën këto”? Siba iu përgjigj: “Gomarët do t’u vlejnë anëtarëve të familjes së mbretit për të udhëtuar me ta, buka dhe pemët djelmoshave për ushqim e vera për pije atyre që do të lodhen duke ecur nëpër shkretëtirë”. 3 Atëherë mbreti i tha: “Ku është biri i zotërisë tënd”? Siba iu përgjigj mbretit: “U ndal në Jerusalem, sepse i thotë mendja: ‘Sot shtëpia e Izraelit do të ma kthejë mbretërinë e tim eti’”. 4 Mbreti i tha Sibës: “Ja pra, gjithçka ka pasur Meribaali, le të jenë të tuat”! E Siba tha: “Po bie në nderim para teje! Oh, sikur të mund të gjeja hir para syve të tu, Imzot, o mbret”!

Semei e mallkon Davidin

5 Davidi mbret po arrinte në Bahurim, dhe ja, prej andej dilte një burrë prej vëllazërisë së familjes së Saulit, me emrin Semei. Ishte biri i Gerës. Ecte e mallkonte 6 dhe gjuante pesha kundër Davidit dhe kundër të gjithë shërbëtorëve të mbretit David. E pra, mbarë populli dhe trimat e zgjedhur ecnin djathtas e majtas përreth mbretit. 7 E Semei kështu fliste duke e nëmur mbretin: “Ik, ik o gjakësor, o i poshtër! 8 Zoti e solli mbi ty gjithë gjakun e familjes së Saulit, sepse ti e pushtove mbretërinë e tij. Por Zoti e lëshoi mbretërinë në dorën e Absalomit, djalit tënd! Ja, po të ndrydhin të zezat e tua, sepse je njeri vrastar”!

9 Atëherë Abisai, biri i Sarvisë, i tha mbretit: “Pse po e mallkon ky qen i ngordhur zotërinë tim mbretin? Po shkoj e po ia shkurtoj kokën”. 10 Por mbreti i tha: “Po ç’po na bën mua e ty, o djali i Sarvisë? Nëse mallkon e nëse Zoti i ka urdhëruar ta mallkojë Davidin, kush është ai që ka guxim t’i thotë: ‘Pse po bën ashtu?’”. 11 Prandaj Davidi i tha Abisait dhe mbarë oborrtarëve të vet: “Ju po shihni se im bir, që ka dalë prej barkut tim, po e kërkon jetën time, po aq më tepër ky tashti që është beniaminas. Lëreni le të mallkojë në qoftë se Zoti i ka thënë të më mallkojë. 12 Ndoshta Zoti e merr parasysh mjerimin tim e mallkimin e sotëm ma sjell në bekim”.

13 Kështu Davidi dhe shokët e tij e vazhduan rrugën, kurse Semei shkonte shpatit të malit, krahas me të duke e mallkuar e duke hedhur pesha kundër tij e duke ngritur pluhur. 14 Mbreti dhe mbarë populli që ishte me të, erdhën deri tek ujët të lodhur e të këputur dhe aty pushuan.

Kusai arrin tek Absalomi

15 Ndërkaq Absalomi dhe mbarë njerëzit e tij, burrat e Izraelit, hynë në Jerusalem. Me të hyri edhe Akitofeli. 16 E kur Kusai Arakiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, i tha: “Rroftë mbreti! Rroftë mbreti”! 17 Absalomi iu përgjigj: “Kjo është besnikëria jote ndaj mikut tënd a? Pse nuk shkove me mikun tënd”? 18 Por Kusai iu përgjigj Absalomit: “Assesi! Por me atë që e ka zgjedhur Zoti dhe ky popull madje edhe mbarë Izraeli, i tij do të jem dhe me atë do të qëndroj. 19 Por, që ta shtoj edhe këtë, kujt do t’i shërbej unë? Pse vallë jo birit të mbretit? Sikurse dëgjova babain tënd, ashtu do të të dëgjoj edhe ty”.

Absalomi dhe shemrat e Davidit

20 Atëherë Absalomi i tha Akitofelit: “Këshillohuni tani ç’na duhet të bëjmë”. 21 Akitofeli i tha Absalomit: “Hyr te ja e tët eti që i la për ta ruajtur shtëpinë, që kur ta marrë vesh mbarë Izraeli se je në armiqësi me tët atë, t’u forcohet krahu të gjithë atyre që janë me ty”.

22 Atëherë e shtrinë çadrën e Absalomit në tarracën e pallatit dhe Absalomi hyri te ja e të atit në sy të mbarë Izraelit. 23 E këshilla që jepte asokohe Akitofeli, vlente porsi përgjigjja e Zotit. Për të tillë e mbanin këshillën e Akitofelit dhe kur ishte me Davidin edhe kur ishte me Absalomin.

2 i Samuelit: 17. Kusai e pengon planin e Akitofelit

17

1 Atëherë Akitofeli i tha Absalomit: “Më lejo t’i zgjedh dymbëdhjetë mijë ushtarë e ta ndjek Davidin po këtë natë. 2 Do ta sulmoj mu atëherë kur do të jetë i lodhur e i këputur. Do t’ia fus tmerrin. Kur mbarë ushtria që do të jetë me të do të ikë, atëherë do ta godas mbretin e lënë vetëm, 3 kurse mbarë popullin do ta sjell tek ti siç bihet nusja te burri i saj: ti kërkon jetën e një njeriu të vetëm, atëherë mbarë populli do të jetë i qetë”. 4 Fjala e tij i pëlqeu Absalomit dhe mbarë krerëve të Izraelit.

5 Por Absalomi tha: “Thirreni edhe Kusai Arakitin dhe të degjojmë ç’thotë edhe ai”. 6 Kur erdhi Kusai tek Absalomi, Absalomi e pyeti: “Akitofeli ka thënë kështu. A na duhet të bëjmë si ka thënë ai apo jo? Fol ti”! 7 Kusai i tha Absalomit: “Këshilla që ka dhënë Akitofeli kësaj here nuk është e mirë”. 8 Dhe Kusai vazhdoi: “Ti e njeh mirë babain tënd dhe njerëzit që janë me të. E di se janë trima të fortë dhe zemërplasur porsi arusha në mal kur i kanë rrëmbyer këlyshët. E yt atë është mjeshtër lufte, ai nuk rri me popull: 9 ai tani fshihet në ndonjë pritë ose në ndonjë vend tjetër. E, po të vritet në fillim ndonjë, kushdo qoftë, me siguri do të dëgjohet e do të thonë: ‘U bë emnesa në ushtrinë që shkon pas Absalomit’! 10 E atëherë do të ligështohet prej frike edhe më trimi që e ka zemrën si luani: sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është trim i fortë dhe se janë trima edhe të gjithë ata që janë me të. 11 Por unë mendoj se kështu duhet këshilluar: le të bashkohet mbarë Izraeli rreth teje prej Danit e deri në Bersabe ‑ i panumërueshëm porsi rëra në bregun e detit ‑ dhe ti vetë çaj në luftë. 12 Atëherë do të sulemi mbi të në cilindo vend të gjendet e do ta mbulojmë porsi vesa kur bie mbi tokë dhe s’do të mbesë gjallë as ai as trimat që janë me të ‑ asnjë për be. 13 Po në qoftë se do të hyjë në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t’ia qesë atij qyteti litarët dhe do ta ngrehim në përrua derisa të mos mbesë as guralec në të”.

14 Atëherë Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: “Më e mirë është këshilla e Kusai Arakitit se këshilla e Akitofelit”. Zoti kishte vendosur të shkonte kot këshilla e dobishme e Akitofelit për t’ia sjellë të keqen Absalomit.

15 Atëherë Kusai u çoi fjalë priftërinjve Sadokut dhe Abiatarit e tha: “Akitofeli kështu e kështu e këshilloi Absalomin dhe krerët e Izraelit, kurse unë i dhashë këtë e këtë këshillë. 16 Prandaj dërgoni e lajmëroni me nxitim Davidit e thoni: ‘Mos e kalo assesi natën në vatë e shkretëtirës, por pa vonesë kalo në anën tjetër që të mos mbarrojë mbreti dhe mbarë ushtria që është me të’”.

I vënë në dijeni, Davidi e kalon Jordanin

17 Jonatani dhe Akimaasi qëndronin te burimi Rogel. Një shërbëtore shkonte tek ata e u sillte lajme. Ata shkuan dhe i treguan Davidit lajmin. Ata nuk mund të hynin në qytet që të mos i hetonin. 18 Megjithatë i pa një djalosh dhe i tregoi Absalomit. Por ata e shpejtuan hapin dhe arritën në shtëpinë e një burri të Bahurimit, i cili kishte një pus në oborrin e vet. Këta zbritën në pus. 19 Një grua mori një mbulesë dhe e qiti mbi grykën e pusit e mbi të qiti grurë të shtypur kështu që s’hetuan gjë. 20 Kur erdhën ushtarët e Absalomit në shtëpi te gruaja, thanë: “Ku janë Akimaasi dhe Jonatani”? Gruaja u përgjigj: “Kanë kaluar në drejtim të ujit”. Këta që i kërkonin, pasi nuk i gjetën, u kthyen në Jerusalem.

21 Pasi u larguan ushtarët, ata dolën prej pusit, shkuan, e lajmëruan Davidin dhe i thanë: “Ngrihuni dhe kalojeni me të shpejtë lumin, sepse kështu i ka këshilluar Akitofeli kundër jush”. 22 U çua, pra, Davidi dhe mbarë populli që ishte me të, dhe e kaluan Jordanin. Në të zbardhur të dritës s’mbeti asnjë që nuk e kishte kaluar lumin.

23 Akitofeli, kur pa se këshilla e tij nuk u mor parasysh, e shaloi gomarin e vet, u çua dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Dhe, si ia dha porositë e fundit familjes së vet, shkoi e u var në litar dhe vdiq. Qe varrosur në varrezën e të atit.

Absalomi e kalon Jordanin. Davidi në Makanaim

24 Kur arriti Davidi në Makanaim, Absalomi e kaloi Jordanin, ai dhe mbarë izraelitët që ishin me të. 25 Absalomi e kishte vënë për kryetar ushtrie Amasën në vend të Joabit. Amasa ishte bir i një farë burri që quhej Jetër, ismaelit, i cili kishte hyrë tek Abigajla, bija e Isait, motra e Sarvisë, që ishte nëna e Joabit. 26 Dhe Izraeli me Absalomin në krye nguli fushimin në tokën Galaad.

27 Kur arriti Davidi në Mahanaim, Sobiu, biri i Naasit, prej Rabës së bijve të Amonit, e Mahiri, biri i Amihelit, nga Lodabari, dhe Berzelai i Galaadas nga Rogelimi 28 i sollën shtroja, mbulesa, gota, enë dheu, grurë, elb e miell, grurë të pjekur, qiqër, thjerrë, 29 mjaltë, gjalp, dele e viça të majmë. Ia dhanë Davidit dhe popullit që ishte me të, për t’i ngrënë. Ua kishte marrë mendja se populli ishte lodhur nga uria e mundi në shkretëtirë.

2 i Samuelit: 18. Shpartallimi i partisë së Absalomit

18

1 Pastaj Davidi e numëroi popullin që ishte me të dhe caktoi mbi të mijëtarë e urdhërqindës. 2 Pastaj Davidi e ndau ushtrinë në tri pjesë: një të tretën e ushtrisë nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Etait, që ishte nga Geti. Mbreti i tha popullit: “Edhe vetë po vij në luftë me ju”. 3 Mbarë ushtria iu përgjigj: “Jo, ti s’do të vish në luftë. Sepse, nëse do të na duhet të ikim, askush nuk do t’i japë rëndësi; po edhe nëse mbetemi të vrarë gjysma prej nesh, askush nuk do t’i japë rëndësi, kurse ti vetëm çmohesh sa dhjetë mijë vetë. Prandaj është më mirë që të jesh i gatshëm të na gjendesh në ndihmë prej qytetit”. 4 Atëherë mbreti u tha: “Si t’ju duket se është më mirë, ashtu do të bëj”. Kështu edhe mbreti qëndroi pranë derës së qytetit. Ushtria dilte në grupe nga njëqind e nga një mijë. 5Mbreti u urdhëroi Joabit, Abisait dhe Etait e u tha: “Për hatrin tim, mos e vritni djaloshin Absalom”! Mbarë ushtria dëgjoi se mbreti u urdhëroi kështu krerëve lidhur me Absalomin.

6 Kështu ushtria doli në fushim e gatshme për t’u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit. 7 Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë. 8 Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë nga ata që i përpiu pylli sesa nga ata që i preu shpata atë ditë.

Vdekja e Absalomit

9 Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua koka Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi. 10 E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: “E pashë Absalomin të varur në qarr”.

11 Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: “Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez”. 12 Ai iu përgjigj Joabit: “Po edhe sikur të m’i hidhje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: ‘Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom’! 13 Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s’do të më kishe mbrojtur”. 14 Joabi tha: “Kot po humb kohë pranë teje”! I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit. 15 Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.

16 Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin. 17 Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të hodhën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.

18 Absalomi, që kur ishte gjallë, kishte ngritur për vete një përmendore në luginën e Mbretit; sepse thoshte: “S’kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim”. Dhe atë përmendore e quajti me emrin e vet dhe ajo quhet deri më sot Përmendorja e Absalomit.

Davidit i tregojnë për vdekjen e Absalomit

19 Akimaasi, biri i Sadokut, tha: “Po vrapoj e po i tregoj mbretit sihariqin se Zoti i ka bërë drejtësi duke e shpëtuar prej armiqve të tij”. 20 Joabi i tha: “Nuk je sot sihariqtar, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajme të mira, sepse ka mbetur djali i mbretit”. 21 Por Joabi i tha etiopiasit: “Shko e tregoji mbretit ç’ke parë”! Etiopiasi i bëri nderim Joabit dhe u nis vrap. 22 Por Akimaasi, biri i Sadokut, përsëri i tha Joabit: “Çkado që të më ndodhë, edhe vetë po shkoj pas etiopiasit”! Por Joabi i tha: “Pse po nxiton, biri im? S’do ta marrësh dhuratën e sihariqtarit”! 23 E ai iu përgjigj: “Të ndodhë ç’të ndodhë, unë do të shkoj”! I tha: “Vrapo”! Akimaasi vrapoi udhës së rrafshtë dhe e kaloi etiopiasin.

24 Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte 25 dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: “Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë”. Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë, 26 vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi dertarit: “Po shoh se po vrapon një njeri vetëm”. Mbreti tha: “Edhe ky është lajmëtar i mirë”. 27 Atëherë vrojtuesi tha: “E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut”. Mbreti tha: “Është njeri i mirë dhe sjell sihariq”.

28 Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: “Gjithçka mirë”! Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: “Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit”! 29 Mbreti e pyeti: “A është gjallë djaloshi Absalom”? Akimaasi iu përgjigj: “Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna”. 30 Atëherë mbreti i tha: “Kalo e qëndro atje”! Pasi u largua ai dhe qëndroi në anë, 31 ia behu etiopiasi dhe, kur arriti, tha: “Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje”. 32 Por mbreti i tha etiopiasit: “A është mirë djaloshi Absalom”? Etiopasi u përgjigj: “I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t’i bërë të keqen mbretit”.

2 i Samuelit: 19. Dhembja e Davidit

19

1 U trand atëherë mbreti, u ngjit në dhomën e derës e qau. Ecte e qante e thoshte kështu: “Biri im, Absalom, biri im; biri im Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd! Absalom, biri im, biri im”!

2 E lajmëruan Joabin se mbreti po e qante e po e vajtonte të birin. 3 Dhe atë ditë fitorja u kthye në vaj për mbarë popullin, sepse mbarë ushtria e mori vesh atë ditë të thuhej: “Mbreti po e qan djalin e vet”. 4 Atë ditë ushtria u kthye fshehtazi në qytet, ashtu siç hyn fshehtas ushtria e turpëruar kur ikën prej luftës. 5 Mbreti e kishte mbuluar fytyrën e vet e thërriste me gjithë zë: “Biri im, Absalom; Absalom, biri im, biri im”!

6 Atëherë Joabi hyri te mbreti në shtëpi e tha: “Sot ua more fytyrën të gjithë shërbëtorëve të tu që sot ta shpëtuan jetën tënde dhe jetën e djemve, të vajzave, të grave e të shemrave të tua. 7 I do ata që të urrejnë e i urren ata që të duan. Sot e dëftove se nuk ke kujdes për prijësit e tu e për ushtarët e tu. Me të vërtetë tani po e kuptoj se ty do të të pëlqente të vdisnim të gjithë ne, mjaft që të ishte gjallë Absalomi! 8 Prandaj ngrihu tani, dil e folu ushtarëve të tu, se përndryshe po të përbetohem me Zotin, nëse nuk del, asnjë sonte nuk do të mbesë me ty dhe kjo e keqe do të jetë për ty më e madhe se të gjitha të këqijat që të kanë ndodhur prej rinisë sate e deri më sot”!

9 Atëherë mbreti u ngrit dhe erdhi e u ul te dera. Lajmëtari i shpalli mbarë ushtrisë se mbreti është ulur te dera e qytetit. Mbarë ushtria u afrua te mbreti.

Përgatitjet për kthimin e Davidit

Izraelitët kishin ikur secili në çadrën e vet. 10 Të gjithë izraelitët grindeshin nëpër fiset e tyre e thoshin: “Mbreti na ka çliruar nga duart e armiqve tanë, ai na shpëtoi nga duart e filistenjve; e tani iu desh të ikë nga vendi prej Absalomit.

11 Por Absalomi, të cilin ne e shuguruam për mbretin tonë, ai u vra në luftë. Çfarë prisni tani që nuk e ktheni mbretin”? Këto fjalë të të gjithë izraelitëve arritën deri te mbreti në shtëpinë e tij.

12 Atëherë mbreti David dërgoi t’u thuhej priftërinjve Sadokut e Abiatarit: “Thoniu krerëve të Judës kështu: ‘Pse jeni të fundit për ta kthyer mbretin në shtëpinë e vet? 13Ju jeni vëllezërit e mi, jeni ashti im e mishi im, a të fundit do ta ktheni mbretin’? 14 E Amasës m’i thoni: ‘A nuk je ti ashti im e mishi im’? Kështu e kështu ma bëftë mua Zoti e edhe më zi, nëse ti s’do të jesh komandanti i ushtrisë sime për sa të jesh gjallë në vend të Joabit’”! 15 Dhe i përfitoi zemrat e të gjithë burrave të Judës si të një burri të vetëm. Këta dërguan njerëz te mbreti e i thanë: “Kthehu ti dhe të gjithë njerëzit e tu”.

Ngjarjet në të kthyer: Semei

16 U kthye, pra, mbreti e arriti te Jordani. Arritën në Galgalë edhe judenjtë për ta takuar mbretin e për ta kaluar përtej Jordanit.

17 Semei, biri i Gerës, beniaminas prej Bahurimit, nxitoi dhe zbriti bashkë me trimat e Judës për ta pritur mbretin David. 18 Me të ishin një mijë burra beniaminas dhe Siba, shërbëtori i shtëpisë së Saulit, pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe të njëzet shërbëtorët e tij. Ata shpejtuan e ranë në Jordan para mbretit, 19 i kishin kaluar vatë për ta kaluar në anë tjetër familjen e mbretit e për të bërë çka t’i pëlqente mbretit. Semei, biri i Gerës, i përkulur para mbretit, kur po donte të kalonte Jordanin, 20 i tha: “Imzot, mos ma merr për faj të keqen dhe të mos i bjerë ndër mend fyerja e shërbëtorit që i bëra Imzotit ditën kur doli imzot mbreti prej Jerusalemit. Le ta harrojë zotëria im, mbreti. 21 Sepse unë, shërbëtori yt, e pranoj fajin tim dhe prandaj erdha i pari prej gjithë shtëpisë së Jozefit sot dhe zbrita në takim të zotërisë tim mbretit”.

22 Por u përgjigj Abisai, biri i Sarvisë, e tha: “A thua Semei nuk e meriton vdekjen pse e ka nëmur të shuguruarin e Zotit”? 23 Por Davidi u përgjigj: “Ç’punë keni me mua ju, o bijtë e Sarvisë, që sot po më nxitni të bëj keq? Po a bën të vritet sot ndonjë izraelit? Mu sot kur po shoh se përsëri jam mbreti i Izraelit”? 24 Dhe mbreti i tha Semeit: “Ti s’do të vritesh!”, dhe iu përbetua.

Meribaali

25 Po edhe Meribaali, nipi i Saulit, doli ta presë mbretin. Nuk i kishte larë këmbët, nuk i kishte prerë thonjtë, nuk e kishte qethur mjekrrën as i kishte larë petkat e veta prej ditës që mbreti e kishte lëshuar qytetin deri në ditën kur u kthye shëndoshë e mirë. 26 Kur i doli para prej Jerusalemit në takim mbretit, mbreti i tha: “Meribaal, pse nuk erdhe me mua?” 27 Ai iu përgjigj: “O mbret, zotëria im, më gënjeu shërbëtori im! Në të vërtetë, unë shërbëtori yt, i pata thënë: Po e shaloj gomarin dhe po shkoj me mbretin, sepse unë, shërbëtori yt jam i çalë. 28 Ai për më tepër i është shpifur shërbëtorit tënd para zotërisë tim, mbretit. Porse ti, Imzot o mbret, je porsi engjëlli i Hyjit: bëj gjithë si të të pëlqejë ty me mua. 29 Sepse mbarë familja e tim eti nuk ka merituar tjetër para zotërisë tim mbretit përveç vdekjes; porse ti më vure mua, shërbëtorin tënd, me ata që hanë në tryezën tënde. Po a kam unë më ndonjë të drejtë? Ç’do të kisha unë t’i ankohesha mbretit”?

30 Prandaj mbreti i tha: “S’është nevojë të shtosh të tjera fjalë. Unë e kam caktuar: Ti e Siba ndani pronat”! 31 Meribaali iu përgjigj mbretit: “Le t’i marrë të gjitha, në dashtë, pasi imzot mbreti u kthye në shtëpinë e vet shëndoshë e mirë”!

Berzelai

32 Po ashtu zbriti prej Rogelimit Berzelai i Galaadit. Ai e kaloi bashkë me mbretin Jordanin për t’u përshëndetur e për t’u ndarë nga mbreti në Jordan. 33 Berzelai Galaadas ishte shumë i moshuar: ishte tetëdhjetëvjeçar. Derisa mbreti po qëndronte në Mahanaim, ky i kishte sjellë mbretit ushqime: ishte njeri shumë i pasur. 34 Mbreti i tha Berzelait: “Eja me mua dhe unë do të të mbajë në Jerusalem.” 35 Por Berzelai iu përgjigj mbretit: “Po edhe sa vjet jete më mbesin që të vij unë me mbretin në Jerusalem? 36 Unë jam sot tetëdhjetëvjeçar! A thua mund të dallojnë tanimë shqisat e mia të ëmblën nga e hidhura? A thua mund ta kënaqë shërbëtorin tënd haja e pija? A thua mund të dëgjoj më zërin e këngëtarëve e të këngëtareve? Përse shërbëtori yt do t’i bëhej barrë më tutje zotërisë tim mbretit? 37 Po eci, shërbëtori yt, me ty edhe pak prej Jordanit. Pse të ma japë mbreti një shpërblim të tillë? 38 Por, po të lutem, unë shërbëtori yt, që të kthehem e të vdes në qytetin tim aty afër varrezës së tim eti e sime nënë. Por ja, shërbëtori yt Kamaami: le të vijë ai me ty, imzot mbret, e bëji atij çka të të pëlqejë”. 39 E mbreti tha: “Le të vijë, pra, me mua Kamaami e unë do të bëj për të gjithçka të të pëlqejë ty. Gjithçka të më kërkosh për të, për hatrin tënd, do t’ia plotësoj”.

40 Kur e kaloi Jordanin mbarë populli bashkë me mbretin, mbreti u përqafua me Berzelain dhe e bekoi. Ai u kthye në vendin e vet.

Juda dhe Izraeli grinden rreth mbretit

41 Mbreti e vazhdoi kështu rrugën drejt Galgalës e Kamaami udhëtonte me të. Mbretin e përcillte mbarë populli i Judës dhe gjysma e popullit të Izraelit. 42 Kur ja, mbarë izraelitët u bashkuan e dolën para mbretit. I thanë: “Pse vëllezërit tanë, bijtë e Judës, të vodhën dhe e kaluan mbretin tonë, mbarë familjen e tij përtej Jordanit dhe të gjithë njerëzit që qenë me Davidin”? 43 Judenjtë iu përgjigjën izraelitëve: “Sepse e kemi më afër mbretin. Pse po hidhëroheni për këtë gjë? A mos hëngrëm gjë prej mbretit, apo na u dhanë farë dhuratash”? 44 Atëherë izraelitët iu përgjigjën judenjve: “Dhjetë pjesë të mbretit na përkasin neve në mbretin, këndej edhe në Davidin. Pastaj ne jemi të parëlindurit. Pse na përbuzët? Po a nuk qemë ne të parët që kërkuam të kthehet mbreti ynë”? Por fjalët e Judës ishin më të rënda se fjalët e burrave të Izraelit.

2 i Samuelit: 20. Kryengritja e Sebës

20

1 Aty ndodhi rastësisht një burrë i keq me emrin Seba, biri i Bokriut, i beniaminas. Ky i ra borisë dhe tha:

“Ne nuk kemi pjesë në Davidin,

as trashëgim në birin e Isait!

Kush është Izrael në tendat e veta”!

2 Kështu u largua çdo izraelit prej Davidit e shkoi pas Sebës, birit të Bokriut; kurse bijtë e Judës qëndruan me mbretin e vet dhe e përcollën prej Jordanit deri në Jerusalem.

3 Kur arriti mbreti në shtëpinë e vet në Jerusalem, i mori dhjetë shemrat e veta që i kishte lënë për të ruajtur shtëpinë, dhe i vendosi në një banesë nën rojë. U jepte ç’u duhej për jetesë, por nuk hynte më tek ato. Kështu ato jetuan të mbyllura deri në vdekjen e tyre, si vejusha, edhe pse me burrë gjallë.

Vrasja e Amasës

4 Mbreti i tha Amasës: “M’i bashko brenda tri ditësh të gjithë njerëzit e Judës e ji edhe ti këtu”. 5 Shkoi, pra, Amasa për ta bashkuar Judën, por u vonua përtej kohës që i ishte caktuar. 6 Atëherë Davidi i tha Abisait: “Tani Seba, biri i Bokriut, do të na e bëjë më zi se Absalomi: merri pra, ushtarët e zotërisë tënd dhe ndiqe sa nuk i ka gjetur qytetet e fortifikuara e të na dalë dore”. 7 Kështu, pra, me të shkuan ushtarët e Joabit, keretët e feletët dhe të gjithë trimat e fortë. Dolën prej Jerusalemit për ta ndjekur Sebën, birin e Bokriut.

8 Kur arritën te Guri i Madh që është në Gabaon, para tyre ia behu Amasa. Joabi ishte i veshur me petkun e luftës, përmbi të cilin kishte brezin e në të kishte të ngjeshur në ije shpatën në mill, të cilën e nxori me një lëvizje të lehtë të dorës. 9 Joabi e përshëndeti Amasën: “Si të kam, or vëlla?”, dhe me dorën e djathtë e kapi për mjekrre Amasën sikur po e përqafonte. 10 Porse Amasa nuk e vuri re shpatën në dorën e Joabit, i cili ia nguli në baqth dhe ia zbrazi zorrët për fushë. S’pati nevojë t’i binte për të dytën herë, sepse ra vdekur përtokë. Joabi me të vëllanë Abisain e vazhdoi ndjekjen kundër Sebës, birit të Bokriut.

11 Ndërkaq një djalosh i Joabit qëndroi pranë kufomës së Amasës e bërtiste: “Kush do të jetë me Joabin e për Davidin, le të shkojë pas Joabit”! 12 Amasa, i larë në gjak, ishte i shtrirë në mes të rrugës. Kur pa ky djalosh se po ndalej mbarë populli për ta shikuar, e largoi Amasën prej rrugës, e qiti në një arë dhe e mbuloi me leshnik, pasi pa se të gjithë ata që kalonin ndaleshin për ta shikuar. 13 Kur qe larguar kufoma nga rruga, të gjithë u vunë pas Joabit për ta ndjekur Sebën, birin e Bokriut.

Shpartallimi i kryengritjes

14 Seba kishte kaluar nëpër të gjitha fiset e Izraelit deri në Abelbetmaakë. U bashkuan edhe të gjithë bokritët dhe shkuan pas tij. 15 Erdhën, pra, dhe e sulmonin në Abelbetmaakë. Punuan një pendë kundër qytetit. Mbarë populli që ishte me Joabin, groponte për t’i rrënuar muret e qytetit.

16 Atëherë një grua e mençur thirri prej qytetit: “Dëgjoni! Dëgjoni! Thuajini Joabit: Afrohu këtu se dua të të them diçka”!

17 Ky, kur u afrua tek ajo, ajo i tha: “A je ti Joabi”? Ai iu përgjigj: “Unë”. Ajo i tha kështu: “Dëgjoji fjalët e shërbëtores sate”. Ky iu përgjigj: “Po dëgjoj”. 18 Ajo vijoi: “Dikur thuhej kështu: ‘Le të pyetet për këshillë në Abel e puna është e kryer’. 19 Unë jam për paqen e besnikëve të Izraelit, e ti po kërkon ta përmbysësh e ta rrënosh qytetin ‑ nënë në Izrael. Pse po e përmbys trashëgimin e Zotit”?

20 Joabi iu përgjigj: “Larg qoftë, larg qoftë kjo gjë prej meje! Unë nuk dëshiroj të shuaj as të rrënoj. 21 Puna nuk qëndron kështu! Por është një njeri që quhet Sebë, biri i Bokriut, prej malit të Beniaminit, që ka çuar dorë kundër mbretit David: dorëzojeni vetëm atë, e unë do të largohem nga qyteti”. Gruaja iu përgjigj Joabit: “Ja, nëpër mur do të të lëshohet koka e tij”. 22 Gruaja u kthye në qytet dhe i foli popullit me urtësi. Ata ia prenë kokën Sebës, birit të Bokriut, dhe e hodhën te Joabi. Joabi i ra borisë, u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në tendën e vet, kurse Joabi u kthye në Jerusalem te mbreti.

Zyrtarët e mëdhenj të Davidit

23 Joabi ishte në krye të mbarë ushtrisë së Izraelit. Banaja, biri i Jojadës, ishte në krye të keretëve e të feletëve. 24 Odonirami ishte në krye të punimeve. Jozafati, biri i Akiludit, ishte arkivist. Siva ishte skrib, kurse Sadoku dhe Abiatari ishin priftërinj. 25 Ira, Jairiti, edhe ai ishte prifti i Davidit.

2 i Samuelit: 21. Uria e madhe dhe vrasja e pasardhësve të Saulit

21

1 Në kohën e Davidit ndodhi një uri që zgjati tri vjet. Davidi iu drejtua për këshillë Zotit e Zoti iu përgjigj: “Mbi Saulin dhe mbi familjen e tij rëndon gjaku, sepse i vrau gabaonasit”. 2 Atëherë mbreti i thirri gabao‑ nasit dhe u tha ‑ duhet ditur se gabaonasit nuk janë izraelitë, por mbeturinë e amorrenjve e izraelitët u kishin dhënë besën se s’do t’i vritnin, por Sauli, prej zellit të tepruar për bijtë e Izraelit e të Judës, vetë deshi t’i vrasë ‑; 3 u tha pra Davidi gabaonasve: “Çfarë të bëj për ju? Ç’doni t’ju jap për shpagim që t’i bekoni trashëgimtarët e Zotit”? 4 Gabaonasit i thanë: “Ne nuk kërkojmë prej Saulit as prej shtëpisë së tij as argjend as ar. Nuk kërkojmë as që të vritet ndokush prej Izraelit”. Mbreti u tha: “Ç’ të kërkoni, unë do ta bëj për ju”.

5 Ata i thanë mbretit: “Prej pasardhësve të atij njeriu që na ka vrarë dhe ka dashur të na e shuajë farën kështu që të mos mbetej askush prej nesh brenda kufijve të Izraelit, 6 na i jep shtatë burra t’i varim para Zotit në Gabaon, në malin e Zotit”. Mbreti u përgjigj: “Do t’jua jap”.

7 Mbreti e fali Meribaalin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të besës së Zotit që ishte lidhur ndërmjet Davidit e Jonatanit, të birit të Saulit. 8 Kështu, pra, mbreti i mori dy bijtë e Resfës, së bijës së Ajës, që ia lindi Saulit, Armoniun e Meribaalin, dhe pesë bijtë e Merabës, së bijës së Saulit, që ia kishte lindur Hadrielit, birit të Berzelait, që ishte nga Mehola, 9 dhe ua dorëzoi gabaonasve, të cilët i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatët së bashku në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit.

10 Atëherë Resfa, bija e Ajës, mori një thes, e shtroi mbi qetë për vete që prej fillimit të korrjes derisa ra shiu nga qielli mbi kufomat e tyre. Nuk i la shpendët të binin mbi trupin e tyre ditën as egërsirat e malit natën.

11 I lajmëruan Davidit ç’kishte bërë Resfa, bija e Ajës, shemra e Saulit. 12 Atëherë Davidi shkoi e i mori eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, prej qytetarëve të Jabesit të Galaadit, që i kishin vjedhur nga tregu i Betsanit, ku i kishin varur filistenjtë pasi i patën vrarë në Gjelboe. 13 Davidi, pra, i solli eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit. I mblodhën edhe eshtrat e të varurve 14 dhe i varrosën bashkë me eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit, në tokën e Beniaminit, në Selë, në varrezën e Cisit, babait të tij. Bënë gjithçka u urdhëroi mbreti e atëherë Zoti u dëftua i mëshirshëm me vendin.

Trimëritë e lavdishme kundër filistenjve

15 Prapë u bë një luftë ndërmjet filistenjve e izraelitëve. Davidi zbriti me ushtarët e vet e po luftonin kundër filistenjve. Por Davidi u lodh. 16 Jesbibenobi, një nga pasardhësit e Rafës ‑ heshta e të cilit ishte e rëndë treqind sikla bronzi ‑ me shpatë të re të ngjeshur në ije, lëvdohej se do ta vriste Davidin. 17 Por Davidit i erdhi në ndihmë Abisai, biri i Sarvisë, e goditi filistiun dhe e vrau. Atëherë u përbetuan njerëzit e Davidit dhe i thanë: “Ti s’do të dalësh më me ne në luftë, që të mos na e ndalësh dritëzën e Izraelit”.

18 Përsëri u bë edhe një luftë në Gob kundër filistenjve: asohere Sobokai i Husës, vrau Safin pasardhësin e Rafës.

19 Përsëri u bë edhe një luftë tjetër në Gob kundër filistenjve: asohere Elkanani, biri i Jairit, nga Betlehemi, vrau Goliat Geteun, dorëza e heshtës së të cilit ishte porsi shuli i tezgjahut.

20 Prapë plasi një lufte në Get, ku ishte një njeri shumë i lartë: kishte nga gjashtë gishtërinj në duar e në këmbë, d. m. th. njëzet e katër; edhe ky ishte prej rodit të Rafës. 21 Edhe ky deshi të poshtëronte Izraelin, por e vrau Jonatani, biri i Samës, vëllait të Davidit.

22 Të katërtit ishin prej rodit të Rafës nga Geti dhe u vranë prej dorës së Davidit e të ushtarëve të tij.

2 i Samuelit: 22. Psalmi i Davidit

22

1 Davidi ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge ditën kur Zoti e shpëtoi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. 2 Ai tha:

“Zoti është qeta ime, qyteza ime, shpëtimtari im!

3 Hyji im, shkëmbi im, në të cilin strehohem,

mburoja ime, shpëtimi im,

mburoja ime dhe strehimi im!

shpëtimtari im, ti më liron nga dhuna.

4 E thërras Zotin që është i denjë për çdo lëvdatë

dhe ai më shpëton prej armiqve të mi.

5 Më rrethuan valët e vdekjes,

më befasuan përrenj keqbërësish,

6 rashë në leqet e vdekjes.

7 Në ngushtimin tim e thirra Zotin,

klitha drejt Hyjit tim.

Prej Tempullit të vet e dëgjoi zërin tim,

dhe britma ime arriti në veshët e tij.

8 Toka u trand dhe u lëkund,

luajtën themelet e qiejve,

u tronditën sepse ai u hidhërua.

9 Nga vrima e hundëve tymi ngufoi,

nga goja zjarr e flakë buçiti,

prush i gjallë prej tij flakëroi!

10 I uli qiejt e zbriti,

nën këmbët e tija një re e murrme.

11 Kaluar mbi kerubin fluturoi,

lundroi mbi krahët e erës.

12 Si me vela nga errësira u mbështoll,

tenda e tij ‑ ujët e murrmë, re përmbi re!

13 Nga bredhja e shkëlqimit në praninë e tij

flakë prushi u ndez!

14 Nga qielli Zoti gjëmoi,

i Tejetlarti bëri t’i dëgjohet zëri!

15 I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau armiqtë,

i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi.

16 Atëherë u pa fundi i deteve,

jashtë dolën themelet e botës,

prej britmës së Zotit,

prej erës së frymës së zemërimit të tij.

17 Prej së larti çoi e më mori,

më nxori nga ujërat e mëdha.

18 Më shpëtoi nga armiku im tejet i fortë,

prej atyre që më urrejnë e që janë më të fortë se unë!

19 Më sulmuan në ditën kur isha ngushtë,

por Zoti më mori në mbrojtje.

20 Ai më qiti në vendin e shpëtimit,

më shpëtoi sepse ai më ka për zemër.

21 Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime,

më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia.

22 Sepse unë i ndoqa udhët e Zotit,

nuk u largova prej Hyjit tim.

23 Para sysh i kam të gjitha rregulloret e tija,

dhe nuk iu shmanga urdhërimeve të tija.

24 Jam i pastër para syve të tij,

sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

25 Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime,

sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

26 Me shenjtin je i shenjtë,

me të pafajshmin je i pafajshëm.

27 Me të zgjedhurin ti je i zgjedhur

kurse dinakut kot ia shkon planet.

28 Ti e shpëton popullin e përvuajtur,

kurse sytë e krenarëve i përul.

29 Ti je dritëza ime, o Zot,

Hyji im i davarit errësirat e mia.

30 Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve,

me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

31 Udha e Zotit është krejtësisht e pastër,

fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr.

Është shqyt për të gjithë ata që shpresojnë në të.

32 Pse a ka ndonjë hyjni tjetër përveç Zotit?

A ka Qetë shpëtimi ndonjë tjetër përveç Hyjit tonë?

33 Ai është Hyji që më ngjesh me fuqi,

e bën të sigurt udhën time.

34 Të lehta m’i bën këmbët porsi të kaprollit,

ai më vendosi në lartësi të sigurta.

35 Ai m’i ushtron duart për luftim,

e krahët e mi për të përdorur harkun e bronzit.

36 Ti ma jep shqytin që më shpëton,

më madhëron kujdesi yt.

37 Ti u jep guxim hapave të mi

më nuk më merren këmbët e mia.

38 Në shpinë u rashë armiqve të mi dhe i zura,

prapa s’u ktheva derisa i shova.

39 Përdhe i rrëzoj e më nuk mund të ngrihen,

bien përdhe, nën shqelma i vë.

40 Me fuqi më ngjeshe për të luftuar,

nën mua i shtrove kundërshtarët e mi.

41 Të armiqve të mi shpinën ma tregon

urryesit e mi unë i shpartallova!

42 Lëshuan kushtrimin ‑ askush s’u vjen në ndihmë,

thërrasin në ndihmë Zotin ‑ ai nuk u përgjigjet.

43 I ndrydha porsi pluhurin e dheut,

i shkela porsi llomin në rrugë.

44 Ti më shpëtove nga kryengritja e popullit tim,

Krye më bëre mbi popujt paganë.

Më shërbeu populli që as nuk e njihja,

45 bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,

posa e ndiejnë zërin tim, dëgjojnë me gatishmëri.

46 Para meje të huajve ora u liget,

duke u dridhur dalin prej qytezave!

47 Rroftë Zoti dhe qoftë bekuar Qeta e shpëtimit tim,

qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

48 Hyji që ma mundëson të hakmerrem,

që i shtron popujt nën mua.

49 Ti më shpëton nga armiqtë e mi,

ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi,

ti më liron prej njeriut të dhunshëm

50 Prandaj, o Zot, do të të lëvdoj mes paganëve,

himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

51 Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,

e përkrah Davidin, të shuguruarin e vet,

dhe pasardhësit e tij për amshim”.

2 i Samuelit: 23. Fjalët e fundit të Davidit

23

1 Këto janë fjalët e fundit të Davidit:

“Fjala e Davidit, birit të Isait,

fjalët e burrit që qe lartësuar shumë,

të Shuguruarit të Hyjit të Jakobit,

këngëtarit të ëmbël të Izraelit.

2 Nëpër mua flet Shpirti i Zotit,

fjala e tij përmbi gjuhën time.

3 Foli Hyji i Izraelit,

më tha Qeta e Izraelit:

“Kush i sundon njerëzit me drejtësi,

kush sundon me frikën e Hyjit,

4 është si drita e agimit, sapo të ketë lindur dielli,

në mëngjes kur re nuk ka,

që bën të xixëllojë pas shiut

barin që nga toka mbin”.

5 Pse a s’është e tillë shtëpia ime me Hyjin?

Një besëlidhje të amshueshme Ai lidhi me mua,

krejt në rregull e pikë për pikë të forcuar!

Pse a s’do të bëjë të ngallitë

i tërë shpëtimi im, çdo gjë e dëshirueshme?

6 Kurse keqbërësit të gjithë

janë të përbuzur porsi ferrat

që s’kapen me dorë;

7 kush i prek, përdor hekur ose dorëzën e heshtës,

dhe krejtësisht digjen në zjarr”.

Trimat e përmendur të Davidit

8 Këta janë emrat e trimave të Davidit:

Jesbaal Hakamonasi, prijësi ndër të Tre. Ky ngriti heshtën e vet kundër tetëqind vetëve dhe i vrau në një sulm.

9 Pas tij vjen Eleazari, biri i Dodo Ahohitit, njëri prej tre trimave. Ky ishte me Davidin në Afesdomim, kur atje u bashkuan për të luftuar filistenjtë. 10 Kur u tërhoqën izraelitët ai qëndroi dhe i preu filistenjtë derisa nuk iu ngri dora e nuk iu kap për shpate si të ishte një copë me të. Zoti dha atë ditë një fitore të madhe dhe ushtria u kthye vetëm për të bashkuar prenë.

11 Pas këtij vjen Sema, biri i Age Araritit. Kur filistenjtë u bashkuan në Lehi, fusha ishte plot me thjerrë. Pasi iku mbarë ushtria prej frikës së filistenjve, 12 ky zuri vend në mes të fushës, e mbrojti dhe i vrau filistenjtë. Zoti dhuroi fitore të madhe.

13 Një herë Tre prej Tridhjetë vetëve u nisën për rrugë në kohën e korrjes e erdhën te Davidi, që ishte në shpellën Odolam. Llogori i filistenjve ishte i ngulur në luginën Rafaim. 14 Asohere Davidi gjendej në kullën e vet, kurse posta e filistenjve ishte në Betlehem. 15 Davidi shprehu këtë dëshirë: “Oh sikur të gjendej dikush të më jepte të pi ujë nga pusi që është te dera e Betlehemit”! 16 Atëherë u lëshuan këta tre trima e i përshkuan llogoret e filistenjve, mbushën ujë nga pusi i Betlehemit, që ishte te dera, e ia sollën Davidit. Por Davidi s’deshi ta pinte, por e kushtoi si ujë njomjeje për nder të Zotit 17 e tha: “Mos e thëntë Zoti të bëj një punë të tillë! Si të pi gjakun e këtyre burrave që shkuan me kokë në gërshërë”? Prandaj nuk deshi ta pinte. Ja, këtë bënë këta tre trima!

18 Abisai, vëllai i Joabit, birit të Sarvisë, ishte në krye të të tridhjetëve. Ky është ai që ngriti heshtën e vet kundër treqind vetëve dhe i vrau. 19 I emëruar ndër të tridhjetët dhe më i përmenduri ndër të tridhjetët, ai ishte kryetari i tyre, por me trimëri nuk arriti te tre të parët.

20 Banaja, biri i Jojadës, trim i fortë për vepra të mëdha, nga Kabseeli. Ky i vrau dy bijtë e Arielit prej Moabit dhe ky një ditë me borë zbriti në shpellë dhe vrau luanin. 21 Po ky e vrau egjiptianin, një njeri tejet trupmadh që në dorë kishte heshtën. Ky e sulmoi egjiptianin me shkop e në dyluftim egjiptianit ia nxori heshtën prej dorës dhe me heshtën e tij e vrau. 22 Këto trimëri i bëri Banaja, biri i Jojadës, edhe ky njihet ndër Tridhjetët trimat e fortë. 23 Ishte më bujari ndër të Tridhjetët, megjithatë nuk arriti të radhitet ndër të Tre. Davidi e bëri prijës të truprojës së vet.

24 Asaeli, vëllai i Joabit, ishte ndër të Tridhjetët. Elkanani, biri i Dodos prej Betlehemit, 25 Sama prej Harodit, Elika prej Harodit, 26 Helesi prej Faletit, Hira, biri i Akcesit, prej Tekuesë, 27 Abiezeri prej Anatotit, Sobokai prej Husës, 28 Selmoni prej Ahohitit, Maharai Netofatiti, 29 Heledi, biri i Baanë Netofatitit, Ithai, biri i Ribait, nga Gabaa e bijve të Beniaminit, 30 Banajë Faratoniti, Hedai prej përrenjve Gaas, 31 Abibaal Arbatiti, Azmaveti nga Bahurimi, 32 Eliabai prej Saalbonit, Jaseni prej Gunit, 33 Jonatani, biri i Samës prej Ararit, Akiami, biri i Sarar Araritit. 34 Elifaleti, biri i Asbai Makatitit, Eliami, biri i Akitofelit Gelonit, 35 Hesrai prej Karmelit, Farai prej Arabit, 36 Igaali, biri i Natanit prej Sobës, Baniu prej Gadit, 37 Seleku prej Animonit, Naharai prej Berotit, armëmbajtësi i Joabit, birit të Sarvisë, 38 Irë Jetriti, Garebi, edhe ky Jetrit, 39 dhe Uri Heteu.

Gjithsej tridhjetë e shtatë.

2 i Samuelit: 24. Regjistrimi i popullit

24

1 Zemërimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: “Shko e numëroje Izraelin e Judën”! 2 Atëherë mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: “Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabee, dhe numëroni popullin që ta di numrin e tij.” 3 Joabi i tha mbretit: “Zoti, Hyji yt, e shtoftë popullin sa është tani edhe njëqind herë aq para syve të zotërisë tim mbretit! Por çfarë i duhet zotërisë tim mbretit kjo gjë”?

4 Porse fjala e mbretit ishte më e fortë se fjala e Joabit dhe e prijësve të ushtrisë. Kështu pra, doli Joabi dhe prijësit e ushtrisë prej pranisë së mbretit dhe shkuan për të numëruar popullin e Izraelit.

5 Si e kaluan Jordanin, ia filluan prej Aroerit dhe prej qytetit që është në mes të luginës dhe kaluan prej andej drejt Gadit e Jazerit. 6 Arritën në Galaad dhe në tokën e hetenjve në Kades dhe shkuan në Dan. Prej Danit u drodhën në Sidon 7 e arritën në qytezën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e Heveut e të Kananeut dhe dolën në Nagebin e Judës në Bersabee. 8 Pasi kaluan mbarë tokën, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh. 9 Joabi ia dha mbretit numrin e regjistrimit të popullit: Izraeli kishte tetëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës ishin pesëqind mijë luftëtarë.

Murtaja dhe falja e Zotit

10 Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: “Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht”.

11 Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, vëguesit të Davidit. I kishte thënë: 12 “Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t’i parashtroj tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj”. 13 Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: “A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t’i përgjigjem atij që më ka dërguar”?

14 Atëherë Davidi i tha Gadit: “Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit ‑ sepse e madhe është mëshira e tij ‑ sesa në duar të njerëzve”.

15 Dhe Davidi zgjodhi murtajën.

Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabee shtatëdhjetë mijë vetë. 16 Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: “Mjaft! Ndale tani dorën tënde”!

Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuseut. 17 Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: “Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç’të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e tim eti”!

Ndërtimi i një lteri

18 Po atë ditë Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: “Ngrihu dhe ndërto për nder të Zotit një lter në lëmin e Areunë Jebuseut”. 19 Dhe Davidi shkoi me fjalën e Gadit si i kishte urdhëruar Zoti. 20 Kur shikoi Areuna, pa se mbreti dhe oborrtarët e tij po shkonin tek ai.

21 Areuna doli përpara, u përkul me fytyrë përdhe në shenjë nderimi e tha: “Ç’e mirë ka ndodhur që të vijë imzot mbreti te shërbëtori i tij”? Davidi iu përgjigj: “Për ta blerë prej teje këtë lëmë e për të ndërtuar një lter për nder të Zotit që të pushojë vdekja që po rëndon mbi popull”.

22 Areuna i tha Davidit: “Le ta marrë dhe le të flijojë imzot mbreti si t’i pëlqejë. Ja, gjedhi për fli shkrumbimi, qerri dhe pendët e qeve për dru. 23 Areuna ia jep mbretit të gjitha, o mbret”! Edhe këto i tha Areuna mbretit: “E pranoftë Zoti, Hyji yt, kushtin tënd”!

24 Porse mbreti iu përgjigj: “Assesi! Por do t’i blej prej teje e do t’i paguaj sa të kushtojnë se nuk dua t’i kushtoj Zotit, Hyjit tim, fli të dhuruara”.

Kështu Davidi e bleu atë lëmë dhe gjedhin pesëdhjetë sikla të argjendtë. 25 Aty ndërtoi Davidi lterin për nder të Zotit dhe i kushtoi flitë e shkrumbimit dhe të pajtimit.

Atëherë Zoti pati dhimbje për vendin dhe pushoi vdekja në Izrael.