Libri i Juditës - Thirrje për guximEmërtimi - Libri i Juditës quhet kështu nga emri i heroinës së librit. Në LXX zë vend pas Esterës e para Tobisë, kurse në Vulgatë pas Tobisë e para Esterës. Libri duhet të ketë qenë i shkruar në gjuhën hebraishte ose arameishte, por tek ne ka arritur në përkthimin greqisht dhe latinisht. Përmbajtja - Mbreti i Asirisë, Nabukodonozori, me kryeqytet në Ninivë, pasi e mundi Arfaksadin, mbretin e Medisë, mendoi të bënte një ekspeditë ndëshkuese kundër të gjithë vasalëve, mbretërve të “Perëndimit”, që nuk kishin dashur t’i ndihmonin kundër Arfaksadit. Kryekomandant e caktoi Olofernin. Të gjitha mbretëritë e perëndimit iu nënshtruan me përjashtim të popullit jude, i cili u mbyll në qytezën e Betulisë për t’i bërë qëndresë. Kur u afrua koha e dorëzimit, për shkak të mungesës së ushqimit e të ujit të pijshëm, del në pah Judita - Çifutja, e cila e sendërton një plan të çuditshëm për ta mposhtur ushtrinë e Nabukodonozorit. Lufta s’është më ndërmjet ushtrisë së Nabukodonozorit e të popullit çifut, por ndërmjet Olofernit - simbolit të së keqes dhe Zotit. Judita - Çifute, vegël në duart e Zotit, grua e vejë, e ndershme, e bukur e, mbi të gjitha, zbatuese e përpiktë e Ligjit të Moisiut, duke e përdorur bukurinë për ta marrë mendësh Olofernin, ia del ta vrasë këtë me armët e tija. Kthehet në Betuli me kokën e Olofernit, çifutët dalin në sulm kundër ushtrisë armike dhe e shpartallojnë plotësisht. Nga Betulia bëhet një procesion festiv në Jerusalem, ku me fli, me këngë e valle lavdërohet Hyji për fitoren mbi armiqtë. Porosia dhe koha e krijimit - Judenjtë mund të shpëtojnë vetëm me ndihmën e Hyjit. Por ndihma e Hyjit s’do të vijë nëse ata nuk do ta zbatojnë Ligjin e Tënzot. Judita, zbatuese e përpiktë e Ligjit të Zotit, bëhet vegël në duart e Tija për t’i shpëtuar judenjtë. Hagiografin nuk e intereson aq as historia as gjeografia, madje ai, duket se qëllimisht, i lë pas dore për shkak të vetë gjinisë letrare që është apokaliptike, për të mos e dobësuar synimin që ka në paraqitjen: lufta e të keqes e personifikuar në Olofernin dhe lufta e të mirës kundër të keqes me Juditën. S’ka dyshim se autori, duke u shërbyer me elemente historike të epokave të ndryshme, ka dashur të shkruajë një libër ndërtues që t’u ndihmonte lexuesve ta mbështesin shpresën dhe guximin vetëm në Tënëzonë, i cili, me anë të Juditës, që të gjithë guximin dhe shpresën e ka në të, e shpëton popullin nga një situatë që për sa sheh syri i njeriut, nuk do të mund të shpëtonte. Mendohet se Libri do të jetë krijuar rreth mbarimit të shek. II ose në fillim të shek. I para Krishtit. Sjellja morale e Juditës - Judita shërbehet me bukurinë e saj për ta ngashnjyer Olofernin, vë në rrezik nderin e vet kundrejt një njeriu të keq që kishte mundur t’ia cenonte nderin; vrasja e gjeneralit në gjendje të dehur dhe në gjumë është tradhti: këto sjellje i kanë shqetësuar sa e sa moralistë. Por duhet marrë parasysh se libri nuk përshkruan një rast ndërgjegjeje, por ka për qëllim të thotë: Hyji i shpaguan armiqtë e vet po me atë monedhë që ata e fabrikojnë: Oloferni deshi ta ngashnjejë popullin e Hyjit, Hyji përdor një femër për ta ngashnjyer e rrënuar atë, sepse veprimtaria e tij është shkaku i humbjes së tij. Mendimi është: ata që shpresojnë në Hyjin gjithmonë mund të llogarisin në ndihmën besnike të Tij. I. FUSHATA E OLOFERNIT Nabukodonozori e Arfaksadi 1 1 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërisë së Nabukodonozorit, i cili mbretëronte në Asiri, në qytetin e madh të Ninivës, Arfaksadi mbretëronte mbi medët në Ekbatanë. 2 Ky i ndërtoi përreth Ekbatanës muret me gurë të latuar tre kute të gjerë e gjashtë kute të gjatë. Murin e punoi të lartë shtatëdhjetë kute e të gjerë pesëdhjetë kute. 3 Pirgjet i punoi përmbi dyert e tija të larta njëqind kute mbi gjerësinë e themeleve gjashtëdhjetëkutshe. 4 Dyert i punoi të larta shtatëdhjetë kute e të gjera dyzet kute që mundësonte kalimin e ushtrisë së trimave të tij e në rreshta të këmbësorisë së tij. 5 Në këtë kohë, mbreti Nabukodonozor bëri luftë kundër mbretit Arfaksad në një fushë të madhe, domethënë në terrenin e Ragaut. 6 Krah për krah me të u rreshtuan në luftë të gjithë banorët e malësisë, banorët e Eufratit, të Tigrit e të Hidaspës si dhe ata të fushave të Ariohut, që i takonin mbretit të elimenjve. Kështu u bashkuan shumë popuj për t’u ndihmuar në luftë bijve të kaldenjve. 7 Atëherë Nabukodonozori, mbreti i asirëve, u dërgoi kasnecë të gjithë banorëve të Persisë dhe të gjithë banorëve të perëndimit: banorëve të Cilicisë, të Damaskut, të Libanit e të Antilibanit dhe të gjithë banorëve të bregut të detit, 8 popullsisë së Karmelit, të Galaadit, të Galilesë së Sipërme dhe të fushës së madhe të Esdrelonit, 9 të gjithë banorëve të Samarisë e të gjithë qyteteve të saja, përtej Jordanit deri në Jerusalem, në Batanë, në Kelus, në Kades, në lumin e Egjiptit, në Tafnis, Ramses, në mbarë dheun e Gesenit, 10 arriti përtej Tanisit e Memfisit, te mbarë banorët e Egjiptit e deri në kufinjt e Etiopisë. 11 Por të gjithë banorët e këtyre vendeve e përbuzën fjalën e Nabukodonozorit, mbretit të asirëve, dhe nuk u bashkuan me të në luftë. Ata nuk ia kishin frikën, sepse në sytë e tyre ishte njëri si çdo njeri tjetër. I kthyen kasnecët e tij duarzbrazët e të poshtëruar. 12 Mbreti Nabukodonozor u hidhërua tepër kundër të gjitha këtyre vendeve. U përbetua në fronin e në mbretërinë e vet se do t’u hakmerret dhe do t’i shkretojë me shpatën e vet mbarë krahinat e Cilicisë, të Damaskut, të Sirisë, po ashtu banorët e Moabit, bijtë e Amonit, mbarë Judenë dhe mbarë banorët e Egjiptit deri ku fillojnë kufinjtë e dy deteve. Lufta kundër Arfaksadit 13 Nabukodonozori me forcat e veta e nisi luftën kundër mbretit Arfaksad në vitin e shtatëmbëdhjetë dhe e mundi. E shpartalloi mbarë ushtrinë e Arfaksadit, kalorësinë e tij, karrocat e luftës 14 dhe i pushtoi të gjitha qytetet e tija. Shkoi edhe në Ekbatanë, i pushtoi kullat e saja, i plaçkiti tregjet dhe shkëlqimin e saj e ktheu në turpësi. 15 Pastaj e zuri Arfaksadin në malet e Ragaut, urdhëroi të shigjetohet dhe kështu e zhduku njëherë e përgjithmonë. 16 Pastaj u kthye në Ninivë me ushtrinë e vet dhe me një numër të madh luftëtarësh që u ishin bashkuar në luftë. Këtu qëndroi duke pushuar e duke ngrënë e pirë me ushtrinë e tij për njëqind e njëzet ditë me radhë. Fushata kundër perëndimit 2 1 Në të tetëmbëdhjetin vit, në të njëzetedytën ditë të muajit të parë, në pallatin e Nabukodonzorit, mbretit të asirëve u përhap fjala se do të hakmerrej mbi mbarë dheun, ashtu si kishte thënë më parë. 2 I bashkoi të gjithë shërbëtorët dhe të gjithë bujarët e vet, mbajti me ta një këshillim të fshehtë dhe me gojën e vet, propozoi të shkretohen dhe të shkatërrohen plotësisht të gjitha ato krahina. 3 Atëherë u mor vendimi të vritet çdo njeri që nuk e kishte përfillur kërkesën e tij. 4 Kur këshillimi mori fund, mbreti i Asirisë Nabukodonozori, e thirri Olofernin, kryekomandantin e mbarë ushtrisë së vet, njeriun e dytë pas vetes, 5 dhe i tha: “Kështu thotë mbreti i madh, zoti i mbarë botës. Nisu prej meje e merr me vete njerëz të besueshëm e të fuqi- shëm: rreth njëqind e njëzet mijë këmbësorë dhe njësinë e kalorësisë me dymbëdhjetë mijë kalorës. 6 Dil kundër të gjitha vendeve në perëndim, sepse nuk iu përgjigjën urdhërimeve të mia. 7 Jep urdhër që të ma bëjnë gati tokën dhe ujin, sepse unë do të vërsulem me hidhërimin tim kundër tyre dhe do ta mbuloj mbarë faqen e dheut me këmbët e ushtrisë sime dhe do t’u lejoj t’i plaçkisin pa farë kursimi. 8 Luginat e tyre do të mbushen me të plagosur, kurse çdo përrua e lumë i tyre do të derdhet brigjeve nga të vdekurit e tyre. 9 Do t’i humbas në mërgim deri në skajin e botës mbarë. 10 Dil, pra! M’i pushto të gjitha tokat e tyre. Ata që do të dorëzohen, m’i ruaj për ditën e ndëshkimit të tyre. 11 Për ata që nuk dëgjojnë, të mos ketë mëshirë syri yt, vriti e plaçkiti në mbarë territorin që të është besuar. 12 Pasha jetën time dhe pushtetin e mbretërisë sime, të gjitha këto do t’i bëj me dorën time! 13 E ti, ruaju se nuk e zbaton ndonjërin prej urdhrave të zotërisë tënd, pra bëj pikë për pikë siç të është urdhëruar dhe pa vonesë!” 14 Oloferni si doli nga prania e zotërisë së vet, i bashkoi të gjithë princat, prijësit dhe oficerët e ushtrisë së Asirisë 15 dhe i numëroi burra luftëtarë të zgjedhur për ekspeditë siç i kishte urdhëruar zotëriu i tij, rreth njëqind e njëzet mijë dhe dymbëdhjetë mijë kalorës shigjetarë. 16 I ndau në njësi të rregullta për luftë. 17 Mori pastaj deve, gomarë e mushka për bartjen e pajisjeve ushtarake, një shumë tejet të madhe delesh, gjedhësh e dhish për nozullimin e ushtrisë me shumicë që nuk u dihej numri. 18 Mori pastaj edhe nozullime të shumta për secilin ushtar. Pastaj edhe ar e argjend me shumicë nga thesari i pallatit mbretëror. 19 Atëherë doli nga Niniva ai e mbarë ushtria e tij dhe u nisën para mbretit Nabukodonozor për ta mbuluar faqen e dheut që është në perëndim: me karroca, kuaj e këmbësorë të zgjedhur. 20 Një shumicë e madhe gjithfarë njerëzish, shumicë që nuk mund të numërohej si karkalecat dhe rëra e tokës iu vu pas ta ndiqte. Qëndrimet e ushtrisë së Olofernit 21 U nisën nga Niniva dhe pas tri ditë udhëtimi arritën në fushën e Bektiletit dhe atje i ngulën çadrat në rrëzë të malit që është në të majtë të Cilicisë së Sipërme. 22 Prej andej Oloferni mori mbarë ushtrinë e vet me këmbësorë, kalorës e karroca dhe u nis drejt krahinës malore. 23 Pastaj e shkretoi Futin e Ludin dhe i bëri pre të gjithë bijtë e Rasisit dhe bijtë e Ismaelit, që ishin përballë shkretëtirës, në jug të kelenjve. 24 Pastaj e kaloi Eufratin, e përshkoi Mesopotaminë, i rrafshoi të gjitha qytetet e fortifikuara që ngriteshin mbi lumin Abronë dhe arriti në det. 25 I pushtoi territoret e Cilicisë, i copëtoi të gjithë kundërshtarët dhe mbërriti deri në kufi të Jafetit, që është në jug, përballë Arabisë. 26 I rrethoi të gjithë bijtë e Madianit, ua dogji tëbanat dhe ua rrëmbeu vathat. 27 Ra pastaj në fushat e Damaskut në kohën e korrjes së grurit e ua ndezi arat, ua zhduki grigjat e bagëtitë, ua bëri pre qytetet, ua shkretoi fushat dhe me teh të shpatës ua preu të gjithë të rinjtë. 28 Frikë e tmerr i pushtoi të gjithë banorët e bregut të detit, banorët e Sidonit e të Tirit, banorët e Surit e të Ohinës dhe të gjithë ata që banonin në Jamni. Frikë e madhe i pushtoi edhe banorët e Azotit, të Askalonit e të Gazës. 3 1 Këndej edhe i dërguan lajmëtarë paqeje që t’i thonë: 2 “Ja, ne jemi shërbëtorët e mbretit të madh Nabukodonozorit, qëndrojmë para teje: bëj me ne si të të pëlqejë ty. 3 Ja, të gjitha fshatrat tona, çdo vend i yni, çdo arë me grurë, grigjat tona e gjedhët tanë, të gjitha vathat e bagëtive tona janë në duart e tua, bëj me to si të të pëlqejë ty! 4 Ja, edhe të gjitha qytetet tona dhe të gjithë banorët e tyre, janë shërbëtorët e tu, eja e bëj me ta si të të pëlqejë ty”! 5 Erdhën, pra, këta njerëz, u paraqitën te Oloferni dhe ia thanë këto fjalë. 6 Atëherë Oloferni me të gjithë ushtrinë e vet zbriti në bregdet, vuri roje në qyteza dhe prej tyre mori njerëz të zgjedhur si ushtri ndihmëse. 7 Njerëzit e bregdetit dhe të rrethinave i dolën përpara ta presin me kurorë, valle e tupana. 8 Ai atëherë i rrafshoi të gjitha lartësirat e tyre, i preu të gjitha pyjet e shenjta të tyre, sipas urdhrit që kishte pasë marrë për t’i zhdukur të gjitha hyjnitë vendëse në mënyrë që të gjithë popujt, të gjitha gjuhët dhe të gjitha fiset e botës t’i shërbenin vetëm Nabukodonozorit dhe t’i luteshin atij si Hyjit. 9 Arriti përballë Esdrelonit pranë Dotainit, që është ballë për ballë me malet e mëdha të Judesë. 10 Ngulën fushimin ndërmjet Gabasë dhe Qytetit të Skitëve. Aty qëndroi një muaj për të mbledhur nozullime për ushtrinë. Kushtrim në Judé 4 1 Bijtë e Izraelit që banonin në Judé dëgjuan për gjithçka kishte bërë ndër popuj të ndryshëm Oloferni, prijësi i ushtrisë së Nabukodonozorit, mbretit të asirëve, se si i kishte plaçkitur njëherë tempujt e tyre e pastaj i kishte shkatërruar. 2 U hyri frikë e madhe prej tij dhe u trazuan shumë për shkak të Jerusalemit e të Tempullit, të Zotit, Hyjit të tyre, 3 sepse porsa ishin kthyer nga mërgimi, porsa ishte bashkuar populli në Judé dhe porsa ishin shenjtëruar nga përdhunimi enët, lteri dhe Shtëpia e Hyjit. 4 Prandaj, dërguan lajmëtarë në krahinën e Samarisë, në Betoron, në Abelmain, në Jerik, në Kobë, në Aisorë dhe në luginën e Salemit. 5 I pushtuan majat më të larta. vendbanimet që ishin të fortifikuara. Bashkuan nozullime për kohë të luftës, sepse sa ishin korrur grunajat e tyre. 6 Edhe Joakimi që aso kohe ishte kryeprift në Jerusalem, u shkroi banorëve të Betulisë e të Betomestaimit, që është përballë Esdrelonit në drejtim të fushës afër Dotainit, 7 që t’i zënë vendkalimet e maleve të larta, sepse nëpër to kalohej në Judé dhe ishte lehtë të ndaloheshin ata që do të ngjiteshin aty pari, sepse rruga ishte e ngushtë dhe nuk zinte më se dy vetë krahakrahas. 8 Izraelitët vepruan si u urdhëroi kryeprifti Joakim dhe pleqtë e mbarë popullit të Izraelit që gjendeshin në Jerusalem. Lutjet e mëdha 9 Me të dhënë të madh çdo izraelit e thirri në ndihmë Hyjin, e përvujtëruan vetveten me agjërim të madh, madje bashkë me gratë e tyre, fëmijët dhe bagëtitë, të gjithë të huajt, ardhacakë dhe të blerë me para, i veshën në ije grathoret. 11 Çdo burrë izraelit, gra e fëmijë, që banonin në Jerusalem, ranë me fytyrë për dhe para Tempullit, e përhinë kokën me hi dhe i shtrinë grathoret para Tempullit të Zotit. 12 Deri edhe lterin e mbuluan me grathore. Me britma të larta i përluteshin Hyjit të Izraelit njëzëri e pa pushim që të mos lejojë të bëhen fëmijët e tyre mish për kërrabë, e gratë e tyre pré e armiqve, qytetet e trashëgimit të tyre rrënoja e të mos dhunohet e të mos poshtërohet Tempulli për t’u kënaqur paganët. 13 Zoti e dëgjoi zërin e tyre dhe e mori parasysh ngushticën në të cilën gjendeshin. Në mbarë Judenë dhe në Jerusalem përpara Shenjtores së të Gjithpushtetshmit, populli agjëroi ditë të tëra. 14 Kryeprifti Joakim dhe të gjithë ata që qëndronin në praninë e Zotit: priftërinj e shërbëtorë të Zotit, me grathore të ngjeshura ijesh, për çdo ditë çonin fli shkrumbimi, kushte dhe fli vullnetare të popullit. 15 Me mitra të përhitur klithnin drejt Zotit me sa fuqi kishin që t’i vinte në ndihmë mbarë shtëpisë së Izraelit. 10 Këshillimi luftarak në fushimin e Olofernit 5 1 E lajmëruan Olofernin, kryekomandantin e ushtrisë së Asirisë, se bijtë e Izraelit ishin bërë gati për luftë: i kishin zënë shtigjet e kalimit të bjeshkëve, i kishin rrethuar me mure majat e larta të maleve dhe në fushë kishin vënë pengesa. 2 Oloferni u hidhërua tmerrsisht. I bashkoi kryetarët e moabëve, prijësit e amonëve dhe të gjithë udhëheqësit e bregdetit 3 dhe u tha: “Djemtë e Kanaanit, më tregoni: Cili është ky popull që banon në male? Cilat janë qytetet, në të cilat banojnë? Sa është e madhe ushtria e tyre? Ku qëndron fuqia dhe forca e tyre? Kush është mbreti i tyre dhe kush prijësi i ushtrisë së tyre? 4 Pse vetëm ata prej të gjithë banorëve të Perëndimit ma kthyen shpinën dhe nuk pranuan të më dalin përpara në mënyrë paqësore”? 5 iu përgjigj Ahiori, prijësi i amonëve: “Imzot kini mirësinë ta dëgjoni fjalën e shërbëtorit tuaj. Unë do ta tregoj të vërtetën mbi këtë popull që banon në këto bjeshkë përballë teje. S’do të dalë gënjeshtër nga goja e shërbëtorit tënd. 6 Ky popull është me prejardhje nga kaldenjtë. 7 Më së pari banuan në Mesopotami, sepse nuk deshën t’i ndjekin zotat e etërve të vet që jetonin në tokën e përmendur të kaldenjve. 8 E lanë udhën e të parëve të vet dhe adhuruan Hyjin qiellor, atë Hyj që ata e njohën. Prandaj të dëbuar nga prania e zotave të tyre, u strehuan në Mesopotami dhe banuan aty për një kohë të gjatë. 9 Por Hyji i tyre u urdhëroi ta lëshojnë këtë vendstrehim dhe të shkojnë në dheun e Kanaanit. Ngulën aty dhe u bënë të pasur me ar, argjend e bagëti të panumërta. 10 Atëherë zbritën në Egjipt - sepse uria e pushtoi tokën e Kanaanit - dhe qëndruan atje deri sa gjetën ushqim. Atje u shumuan fort sa që nuk mund të numërohej popullsia e tyre. 11Atëherë u çuan kundër tyre egjiptianët dhe i shfrytëzuan me punim tullash, i poshtëruan dhe i bënë skllevër. 12 Atëherë ata bërtitën drejt Hyjit të tyre e Hyji e goditi mbarë Egjiptin me varrë të pashërueshme. Prandaj egjiptianët i dëbuan larg vetes. 13 Hyji para tyre e teri Detin e Kuq 14 dhe u priu udhës drejt Sinait dhe drejt Kadesbarnes. Pasi i dëbuan banorët e shkretëtirës, 15 u ngulitën në tokën e amorrenjve dhe me fuqinë e vet shfarosën të gjithë hesbonasit. Kaluan Jordanin dhe e pushtuan tërë malësinë; 16 e dëbuan Kananeun, Ferezeun, Jebuseun, sikemët dhe të gjithë girgesenjtë, dhe aty banuan për kohë të gjatë. 17 Deri sa nuk mëkatuan kundër Hyjit të vet, kishin mirëqenie, sepse me ta ishte Hyji që e urren të keqen. 18 Por, kur u larguan nga udha që ai ua kishte shënuar, atëherë shumica e tyre qe shfarosur në luftra të ndryshme, kurse të tjerët qenë humbur në dhe të huaj. Tempulli i Hyjit të tyre qe rrafshuar për tokë dhe qytetet e tyre qenë pushtuar nga kundërshtarët. 19 Atëherë u kthyen kah Hyji i tyre dhe u riatdhesuan nga vendet ku kishin qenë humbur, e morën Jerusalemin, ku është Shenjtërorja e tyre dhe e ripopulluan malësinë që kishte mbetur shkretë. 20 E tani, Imzot i madhërishëm, të shikojmë me kujdes a mos ka ndonjë marrëzi në këtë popull dhe mëkaton kundër Hyjit të vet dhe, nëse po, atëherë shkojmë t’i sulmojmë e t’i shpartallojmë. 21 Por, nëse populli nuk ka faj, atëherë Imzot, hiq dorë, se ndoshta i mbron Zoti dhe Hyji i tyre e mos të bëhemi gazi i dheut”. 22 Kur Ahiori i kreu së thëni këto fjalë, mbarë njerëzit, të bashkuar përreth tendës, nisën të nynykatnin. Atëherë oficerët e Olofernit, bregdetarët dhe moabët kërkuan ta shigjetojnë. 23 “Pse duhet t’u kemi frikën bijve të Izraelit? Ai është një popull i dobët e që nuk ka ushtri dhe s’është i aftë të përballojë një luftë të fortë. 24 Prandaj të sulemi se kanë për të qenë sa një kafshore e ushtrisë sate, o zotëri Olofern”! Ahiorin ua dorëzojnë izraelitëve 6 1 Kur u qetësua zhurma e atyre që ishin mbledhur në kuvend, Oloferni, kryekomandanti i ushtrisë së Asirisë, i tha Ahiorit, në sy të të gjithë popujve të ndryshëm e të gjithë të të bijve Moabit: 2 “Kush je ti, o Ahior, e kush janë luftëtarët e blerë të Efraimit, që të bëhesh profet ndër ne si sot e po na thua se s’mposhtet raca e bijve të Izraelit, se po i mbroka Hyji i tyre? E cili është ai Hyji tjetër përveç Nabukodonozorit, mbretit të tërë botës? Ky do ta dërgojë ushtrinë e vet e do t’i çrrënjosë nga faqja e dheut dhe nuk do t’i shpëtojë Hyji i tyre! 3 Ne, shërbëtorët e tij, do t’i godasim si të ishin një njeri i vetëm dhe nuk do të mund ta përballojnë fuqinë e kuajve tanë. 4 Me kuaj do t’i mbulojmë! Bjeshkët do të zhyten në gjak, e me kufomat e tyre do të mbushen fushat. Këmba e tyre s’do të mund të qëndrojë para nesh, por do të shfarosen të gjithë si një! Kështu thotë Nabukodonozori, mbreti i mbarë tokës: ai tha dhe s’do të shkojnë kotfjalët e gojës së tij! 5 Kurse ti, o Ahior, mercenar i amonëve, që i the këto fjalë në ditën e të keqes sate, nga dita e sotme s’do ta shikosh më fytyrën time deri sa t’i hakmerrem racës së atyre që dolën nga Egjipti. 6 Atëherë ijët e tua do t’i përshkojë hekuri i ushtrisë sime dhe shpata e shërbëtorëve të mi e do të biesh me të plagosurit e tyre kur unë të kem ardhur. 7 Sepse shërbëtorët e mi do të të çojnë në malësi dhe do të të lënë në njërin ndër qytetet e shpateve. 8 S’do të vdesësh deri sa ta tres farën bashkë me ta! 9 E në qoftë se ke njëfarë shprese në zemrën tënde se ata nuk do të pushtohen, atëherë të mos vrahet fytyra jote! Thashë dhe fjala ime s’do të shkojë huq”! 10 Atëherë Oloferni u urdhëroi shërbëtorëve të vet, që ishin pranë në tendën e tij, ta kapin Ahiorin e ta çojnë në Betuli e t’ua dorëzojnë bijve të Izraelit. 11 Shërbëtorët e tij e kapën, e nxorrën jashtë fushimit, kaluan nëpër fushë e andej morën drejtimin kah malësia dhe arritën te krojet nën Betulinë. 12 Kur njerëzit e qytetit të ndërtuar në majë të malit i panë, i morën armët dhe dolën nga qyteti në majë të malit, e zunë rrugën në grykën e tij dhe filluan t’i gjuanin me gurë. 13 Ata u strukën nën mal, e lidhën Ahiorin dhe e lanë grumbull në rrëzë të malit e u kthyen te zotëria i tyre. 14 Atëherë izraelitët zbritën nga qyteti i vet, zunë vend pranë tij, e zgjidhën, e çuan në Betuli dhe e paraqitën te prijësit e qytetit të vet, 15 që asokohe ishin Ozia, biri i Mikës, nga fisi i Simonit, dhe Kabrisi, biri i Gotonielit dhe Harmisi, biri i Melkielit. 16 I thirrën në mbledhje të gjithë krerët e qytetit, por u mblodhën dhe të gjithë të rinjtë e tyre, gratë dhe fëmijët. Ahiorin e vunë në mes të popullit dhe Ozia e pyeti se çfarë kishte ndodhur. 17 Ahiori e mori fjalën dhe u tregoi krejt çka ishte thënë në këshillimin e Olofernit, si dhe të gjitha fjalët që i kishte thënë para të gjithë prijësve të Asirisë dhe fjalët e mëdha që i kishte thënë Oloferni kundër shtëpisë së Izraelit. 18 Mbarë populli ra me fytyrë për dhe, e adhuroi Hyjin dhe tha: 19 “O Zot, Hyji i qiellit, shikoje krenarinë e tyre dhe ki mëshirë për përvujtërinë e popullit tonë dhe ktheje sot fytyrën tënde kah ata që të janë kushtuar ty”! 20 Pastaj e ngushëlluan Ahiorin dhe i dhanë nder. 21 Oziu e mori nga tubimi, e çoi në shtëpinë e vet dhe e përgatiti një darkë të mirë për pleqtë. Gjithë natën e thirrën në ndihmë Hyjin e Izraelit. II. RRETHIMI I BETULISË Fushata kundër izraelitëve 7 1 Të nesërmen Oloferni i dha urdhër ushtrisë së vet dhe të gjithë popullit të vet që ishte mbledhur në ndihmën e tij të bëheshin gati për ta sulmuar Betulinë, t’i pushtonin grykat malore dhe ta nisnin luftën kundër bijve të Izraelit. 2 Menjëherë po atë ditë u nisën të gjithë luftëtarët e tij. Ushtria e tij kishte njëqind e shtatëdhjetë mijë këmbësorë e dymbëdhjetë mijë kalorës, pa e numëruar pajisjen e madhe dhe njerëzit që ecnin më këmbë nëpër ta: një shumicë tejet e madhe! 3 Ngulën fushimin në luginën afër Betulisë, përgjatë burimit. U hapën në gjerësi në drejtim të Dotainit deri në Abelmain e në gjatësi nga Betulia deri në Hiamon që është përballë Esdrelonit. 4 Kur izraelitët e panë gjithë këtë shumicë, u turbulluan për së forti dhe i thanë njëri-tjetrit: “Këta tani do ta përlajnë mbarë faqen e dheut: as malet as luginat as kodrat s’do të mund ta bajnë peshën e tyre.” 5 Secili kapën armët e veta, i ndezën dritat nëpër kullat e veta, atë natë ndenjën roje gjithë natën. 6 Të nesërmen Oloferni e nxori jashtë krejt kalorësinë e vet që ta shohin bijtë e Izraelit që ishin në Betuli, 7 i shqyrtoi udhët që shpinin në qytetin e tyre, i kërkoi burimet e ujërave dhe i pushtoi ato, i vuri roje ushtarët e pastaj u kthye tek ushtria e vet. 8 Atëherë erdhën tek ai të gjithë prijësit e bijve të Ezahut, prijësit e popullit moab dhe udhëheqësit ushtarakë të Bregut të detit e i thanë: 9 “Le ta ketë mirësinë Imzoti të na i dëgjojë disa fjalë në mënyrë që ushtria e tij të mos pësojë humbje. 10 Ky popull i bijve të Izraelit nuk u ka besuar heshtave të veta, por lartësisë së maleve, në të cilat banon, sepse nuk është lehtë të ngjitesh në majat e thepisura të bjeshkëve të tyre. 11 Prandaj o Zotëri, mos lufto me ta si në betejë të hapur, nëse dëshiron që të mos bjerë i vrarë asnjë ushtar i yti. 12 Qëndro në fushimin tënd dhe ruaje çdo ushtar të ushtrisë sate, ndërsa ndërkohë ushtarët e tu le ta pushtojnë burimin e ujit që del në rrëzë të malit, 13 sepse prej andej e marrin ujin të gjithë banorët e Betulisë. Ata do të vdesin nga etja dhe vetë do ta dorëzojnë qytetin e vet. Ndërkaq ne dhe regjimentët e tu do të ngjitemi mbi majët e këtyre maleve të afërta dhe do të vendosim roje që të mos dalë asnjë njeri nga qyteti. 14 Kështu do të meken nga uria dhe etja ata, gratë dhe fëmijët e tyre dhe, para se të vijë shpata mbi ta, do të mbeten shtrirë shesheve të banesave të tyre. 15 Atëherë do t’i shpaguash me shpagim të tmerrshëm që u çuan kundër e nuk deshën të dalin përpara paqësisht.” 16 Parashtrimi i tyre i pëlqeu Olofernit dhe shërbëtorëve të tij dhe vendosi të bënte ashtu siç thanë ata. 17 U nisën pra, bijtë e Moabit e me ta edhe pesë mijë asirianë, e ngulitën në luginë dhe i pushtuan ujësjellësit dhe burimet e ujërave të izraelitëve. 18 U nisën në drejtim të maleve dhe bijtë e Ezaut dhe bijtë e Amonit, dhe e ngulën fushimin në malësi përballë Dotainit. Prej tyre disa i dërguan në juglindje përballë Egrebelit, që është afër Kusit, në brigjet e Mohmurit. Ushtria tjetër e asirëve e nguli fushimin e vet në fushë dhe kështu e mbuluan krejt sipërfaqen e dheut. Çadrat e tyre dhe pajisjet formuan një fushim tejet të madh, sepse vërtet ishte një mori e madhe njerëzish. 19 Atëherë bijtë e Izraelit klithën drejt Zotit, Hyjit të vet, sepse po u pakësohej guximi ndërsa armiqtë i kishin rrethuar nga çdo anë dhe nuk kishin rrugë shpëtimi prej tyre. 20 Për tridhjetë e katër ditë mbarë ushtria e asirëve: këmbësorët, karrocat dhe kalorësit i mbajtën në rrethim. Atëherë banorëve të Betulisë u mungoi uji në të gjitha enët. 21 Edhe çisternat i kishin të zbrazëta e nuk kishin ujë të pijshëm as edhe vetëm për një ditë, sepse u jepnin për të pirë me masë. 22 Kështu u dobësuan fëmijët e tyre, gratë dhe të rinjtë, nga etja rrëzoheshin nëpër sheshet e qytetit dhe kalimet e dyerve sepse s’u kishte mbetur më fare fuqi. 23 Atëherë mbarë populli, të rinj, gra e fëmijë u mblodhën te Ozia e te të parët e qytetit dhe me zë të madh bërtitën e thanë para të gjithë pleqve: 24 “Hyji gjykoftë ndërmjet jush e nesh që na morët në qafë për të keqen tonë e nuk u morët vesh paqësisht me asirët. 25 Tani s’ka kush të na ndihmojë, e Hyji na shiti në dorë të tyre që të biem rrah përdhe nga etja e të mbarojmë krejtësisht. 26 Tani thërrisni ata e dorëzojani krejt qytetin në robëri popullit të Olofernit dhe ushtrisë së tij. 27 Më mirë është për ne të bëhemi preja e tyre; do të bëhemi skllevër e skllave të tyre, por do të na lënë gjallë dhe nuk do ta shohim me sytë tanë vdekjen e fëmijëve tanë dhe nuk do t’i shohim gratë e fëmijët tanë si u del shpirti. 28 Ju përbejmë në qiell e në dhe me Hyjin e tyre me Zotin e etërve tanë, që po na hakmerret për fajet tona dhe për fajet e etërve tanë, ju përbetojmë që që sot ta zbatoni këtë që ju thamë”. 29 I tërë tubimi ia plasi vajit me zë të lartë dhe të gjithë së bashku klithën drejt Zotit Hyj me zë të lartë. 30 Atëherë Ozia u tha: “Merrni guxim, o vëllezër, e të qëndrojmë edhe pesë ditë kur Zoti, Hyji ynë, do të kthehet nga ne me mëshirë: sepse ai nuk do të na harrojë plotësisht. 31 Nëse do të kalojnë këto pesë ditë e nuk do të na vijë asfarë ndihme, do të bëj siç kërkoni ju”. 32 Atëherë e liroi popullin të shkonte secili në vendin e vet, burrat shkuan në mure dhe në pirgje, kurse gratë e fëmijët i çuan në shtëpi. Mbarë qyteti ishte ngushtuar sa s’ka më. III. JUDITA Paraqitja e Juditës 8 1 Asokohe në qytet banonte Judita, e bija e Merariut, të Oksit, të Jozefit, të Ozielit, të Elkisë, të Ananisë, të Gedeonit, të Rafainit, të Akitobit, të Eliabit, të Natanaelit, të Salamielit, të Surisadajit, të Simonit, të Izraelit. 2 Burri i saj Manaseu, ishte nga fisi i të parëve të saj. Kishte vdekur në kohën e korrjes së elbit. 3 Derisa po i mbikëqyrte lidhësit e dorëzave në arë, i ra në kokë dielli, u sëmur dhe vdiq në qytetin e vet në Betuli. E varrosën bashkë me të parët e tij në arë, që është ndërmjet Dotainit dhe Balamonit. 4 Judita, e mbetur e vejë, jetoi në shtëpinë e vet tre vjet e katër muaj. 5 Përmbi tarracën e shtëpisë e ndërtoi një dhomë dhe ijet i ngjeshi me grathore. U vesh me petkat e vejërisë. 6 Agjëronte çdo ditë të vejërisë së vet, përveç në sy të të shtunave e të shtunave, në sy të hënëve të reja e hënëve të reja, ditëve të festave, dhe ditëve të gëzueshme të shtëpisë së Izraelit. 7 Ishte e hijshme dhe shumë e pashme në fytyrë. Ishte shumë e mençur, e shquar dhe shumë e ndershme. Burri i saj Manaseu, biri i Jozefit, të Ahitobit, të Melkisit, të Eliabit, të Natanaelit, të Surisadajit, të Simonit, të Izraelit i kishte lënë ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, gjë e mall dhe ajo jetonte me të gjitha këto të mira, 8 e askush s’mund të thoshte për të asnjë fjalë të keqe, sepse ajo i frikësohej shumë Hyjit. Judita dhe paria 9 Juditës i shkuan në vesh fjalët që populli, i kishte thënë kundër të parit të qytetit pasi e kishte lëshuar zemra për shkak të mungesës së ujit. Judita dëgjoi edhe për përgjigjen e Ozisë: se si ishte përbetuar se pas pesë ditësh do t’ua dorëzonte asirëve qytetin. 10 E dërgoi kryeshërbëtoren që e mbikëqyrte të gjithë pasurinë e saj, e thirri edhe Ozinë, Kabriun e Karmiun, të parët e qytetit të vet. 11 Kur ata erdhën, ajo u tha: “Më dëgjoni, prijës të banorëve të Betulisë. Nuk është e drejtë fjala juaj që sot e folët para popullit. Ju madje vutë ndërmjet jush dhe Hyjit përbetimin se do ta dorëzoni qytetin në duart e armiqve tanë, në qoftë se brenda këtyre ditëve Zoti, Hyji ynë, nuk do të na e çojë ndihmën e vet. 12 Si more, ashtu! Po kush jeni ju që e tunduat Hyjin në ditën e sotme dhe dolët para njerëzve në vend të Hyjit? 13 E tani po i vini në provë Zotin e Gjithëpushtetshëm! Gjë prej gjëje s’jeni të zotët të kuptoni kurrën e kurrës! 14 Nëse s’jeni në gjendje ta shqyrtoni thellësinë e zemrës së njeriut e t’i zbuloni nevojat e shpirtit të tij, atëherë si do të mundeni ta shqyrtoni Hyjin që i bëri të gjitha këto, ta njihni mendimin e tij e t’i kuptoni synimet e tija? Assesi, vëllezërit e mi! Mos e hidhëroni Zotin, Hyjin tonë! 15 Në qoftë se ai nuk do të na ndihmojë brenda këtyre pesë ditëve, është në pushtetin e tij të na ndihmojë atëherë kur ai do, ose të na zhdukë para armiqve tanë. 16 Mos e bëni, se ju po i vini peng synimeve të Zotit, Hyjit tonë, sepse Hyji nuk është si njerëzit që të frikësohet nga kërcënimet ose si çdo njeri që të mund të hidhet në pleq. 17 Prandaj duke e pritur me durim shpëtimin prej tij, ta thërrasim në ndihmë e ai nëse do t’i pëlqejë do të na dëgjojë. 18 E njëmend nuk ka pasur dhe as sot e kësaj dite nuk ka në breznitë tona, as në fiset tona, as në atdheun tonë, as në popullin tonë, as në qytetin tonë të atillë njerëz që adhurojnë zota të punuar me dorë, sikurse ka pasë ndodhur dikur, 19 për shkak të të cilëve kanë qenë dënuar për shpatë e pre etërit tanë dhe pësuan humbje të madhe prej armiqve tanë. 20 Kurse ne, ne nuk njohim tjetër Hyj përveç Atij! Në të e kemi shpresën dhe ai nuk do të na përbuzë dhe s’do ta lërë pa e shpëtuar kombin tonë. 21 Në qoftë se do të na pushtojnë ne, atëherë do të pushtohet mbarë Judeja, do të plaçkiten të gjitha vendet tona të shenjta. Gjaku ynë do të jetë përgjegjës për dhunimin e tyre para Hyjit. 22 Vdekja e vëllezërve tanë, robërimi i vendit, shkretëtimi i trashëgimit tonë, do të bien mbi kokat tona ndër sy të paganëve, kudo që të bëhemi skllevër. Do të bëhemi shkandull e turp para syve të atyre që do t’u jemi skllevër, 23 sepse skllavëria jonë nuk do të ndjellë mëshirë, por Zoti, Hyji ynë, do ta kthejë atë në çnderim. 24 Prandaj, vëllezërit e mi, duhet t’ua vërtetojmë vëllezërve tanë se prej nesh varet jeta e tyre dhe se gjithçka e kemi më të shenjtë, Tempulli dhe lteri, peshojnë më shumë se ne. 25 Për të gjitha këto arsye t’i falemi nderit Zotit, Hyjit tonë, që na vë në provë si etërit tanë. 26 Të mos e harrojmë se sa prova të mëdha i bëri Abrahamit, Izakut e sa prova të mëdha i bëri Jakobit kur në Mesopotaminë e Sirisë i ruante dhentë e Labanit, dajës së vet! 27 Por, si duket edhe ata i përshkoi nëpër zjarrin e provave për t’ua njohur zemrën, kështu edhe ne, jo për të na u hakmarrë, por për të na qortuar se Zoti i frushkullon ata që i afrohen”. 28 Ozia iu përgjigj: “Gjithçka ke thënë e ke thënë me akull të mendjes dhe s’gjendet njeri që mund t’u kundërshtojë fjalëve të tua. 29 Në të vërtetë, s’është se veç sot po dëftohet urtia jote, por që prejfillimit të ditëve të tua mbarë populli e njeh urtësinë tënde, sepse zemra jote përbluan veç punë të mbara! 30 Por populli vuajti shumë nga etja dhe na detyroi të veprojmë ashtu siç u kemi thënë. Na bëri të përbetohemi dhe përbetimin s’kemi se si të mos e zbatojmë. 31 Por Tani, lutu për ne, e ndoshta do të dëgjojë Hyji ynë, sepse ti je grua e shenjtë, e Zoti do të çojë shi e do t’i mbushë saranxhat tona që të mos sharrojmë”. 32 Judita u tha: “Më dëgjoni! Do ta bëj një vepër, kujtimi i së cilës do të kalojë nga breznia në brezni të bijve të popullit tonë. 33 Ju do të qëndroni sonte te dera e qytetit. Unë do të dal bashkë me kryeshërbëtoren time dhe, brenda ditëve për të cilat keni thënë se do t’ua dorëzoni armiqve tanë qytetin, Zoti do ta shpëtojë Izraelin me dorën time, jam krejtësisht e bindur. 34 Ju veç mos më pyetni se çfarë do të bëj, sepse s’do t’jua tregoj para se ta kem kryer punën”. 35 Ozia dhe paria i thanë: “Udha e mbarë! Zoti Hyj të priftë për t’u hakmarrë armiqve tanë!”. 36 Zbritën nga dhoma e saj dhe shkuan në punën e vet. Lutja e Juditës 9 1 Ndërkaq Judita ra me fytyrë përdhe, i qiti kokës hi, e shqeu këmishën e vet dhe e zbuloi grathoren që e kishte ngjeshur, dhe, në atë kohë, kur në Jerusalem, në Shtëpinë e Hyjit, flijohej në mbrëmje flia e kemit, Judita me zë të lartë e thirri në ndihmë Hyjin e tha: 2 O Zot, Hyji i stërgjyshit tim Simonit, të cilin ti e armatose me thikën e hakmarrjes kundër të huajve, të cilët ia zgjidhën brezin virgjërës për ta dhunuar dhe ia zbuluan kofshën për ta turpëruar dhe ia fëlliqën kraharorin me poshtërsi; e pra, ti kishe urdhëruar: ‘Kështu të mos bëhet!’. e ata e bënë! 3 Për këto i shpure në vdekje prijësit e tyre, me gjak tradhtie e skuqe shtratin e tradhtisë së tyre: i përplase shërbëtorët mbi krerë e krerët mbi fronet e tyre! 4 Pre i bëre gratë e tyre, skllave bijat, gjithçka patën për pjesë ua ndave bijve që i pate për zemër pse digjeshin me zell për ty e urryen turpin që iu bë gjakut të tyre: dhe të thirrën në ndihmë t’u shkosh. Ti, o Hyj, o Hyji im, më dëgjo mua, gruan e vejë, 5 sepse prej teje është çka ka qenë, ç’ndodh tani e çka do të ndodhë në të ardhmen: ti i mendon e ato bëhen! 6 Çfarë ti synove, të doli para e të tha: “Tek jam”! Sepse të gjitha udhët e tua janë të përgatitura, synimet e tua të parapara. 7 Ja, asirianët: krenohen me ushtrinë e vet, mburren me kuajt dhe kalorësit e vet, krenohen me krahun e këmbësorëve, shpresojnë në mburojat dhe heshtat, në harqet dhe në bahe e nuk e dinë se ti je Zoti që luftërat i zhduk! 8 Zot Emrin e ke! Zhduke fuqinë e tyre, Hyj i amshueshëm, me fuqinë tënde shpartalloje ushtrinë e tyre zhduke fuqinë e tyre me hidhërimin tënd! Ata duan t’i çnderojnë Shenjtëroret e tua, ta fëlliqin Tendën ku banon, Emri yt i madhërishëm, t’i rrënojnë me hekur brirët e lterit tënd! 9 Shikoje krenarinë e tyre, zbraze zemërimin tënd mbi kokat e tyre, jepi dorës sime, së vejushës, fuqinë për ta kryer çka kam synuar. 10 Me buzëqeshjen time tërheqëse godite prijësin e skllavit, dhe prijësin me skllavin e vet! Shkatërroje krenarinë e tyre me dorën e vejushës! 11 Forca jote s’qëndron në numër, pushteti yt s’mbështetet në ushtri, se je Hyji i të përvuajturve, je ndihmtari i të vegjëlve, mbështetje e të ndrydhurve, mbrojtës i të përbuzurve, shpëtimtar i të dëshpëruarve! 12 Po, po, Hyji i atit tim, Hyji i trashëgimit të Izraelit, Zotëruesi i qiellit e i tokës, Krijuesi i ujërave, Mbreti i mbarë krijesave të tua, dëgjoje lutjen time: 13 ma dhuro gjuhën ngashnjyese që t’i plagos edhe t’i vras të gjithë ata që synuan të keqen kundër besëlidhjes sate, kundër Tempullit tënd të shenjtë, kundër majës së Sionit, kundër Shtëpisë që u përket bijve të tu! 14 Bëj ta dijë çdo popull e fis, se ti je Hyj i gjithëpushtetshëm e i fuqishëm, e se populli i Izraelit, përveç teje tjetër mbrojtës nuk ka! IV. JUDITA E OLOFERNI Judita shkon te Oloferni 10 1 Kur Judita i dha fund lutjes së vet drejtuar Hyjit të Izraelit e si i kreu të gjitha këto fjalë, 2 u ngrit nga adhurimi me fytyrë përdhe, e thirri kryeshërbëtoren e vet dhe zbriti në dhomën e vet, ku qëndronte të shtunave dhe ditëve të kremtimit. 3 E zhveshi grathoren që e kishte ngjeshur, i hoqi petkat e vejërisë, e lau shtatin, u lye me erëra të mira, i krehu flokët, vuri në kokë rizakun dhe u vesh me petkat e gëzimit, me të cilat vishej kur e kishte gjallë burrin, Manaseun. 4 Në këmbë i mbathi sandalet, vuri gjerdanin, vuri bylyzykët në duar, unazat, vathët dhe mbarë argjendin: u stolis shumë bukur për ta joshur shikimin e çdo njeriu që e shikonte. 5 Shërbëtores së vet i dha në dorë një rrëshiq me verë, një enë me vaj, i mbushi duqet me grurë të përzhitur, me bukëfike, me bukë e djathë: i mbështolli të gjitha këto e ia dha shërbëtores së vet. 6 Pastaj shkuan te dera e qytetit të Betulisë, ku i priste Ozia me dy pleqtë e qytetit, Kabriun e Karmiun. 7 Këta, kur e panë Juditën, të zbukuruar në fytyrë dhe me petka të ndërruara, mbetën shumë të habitur për bukurinë e saj dhe i thanë: 8 “Hyji i etërve tanë ta priftë mbarë dhe i çoftë në vend synimet e tua për nder të bijve të Izraelit e për lavdinë e Jerusalemit”! 9 Judita e adhuroi Hyjin e u tha: “Jepni urdhër të më hapet dera e qytetit e të dal e t’i sendërtoj fjalët që po m’i thoni si urim”. Ata u urdhëruan djelmoshave t’ia hapin derën siç u kishin thënë. 10 Ata bënë ashtu. Judita doli e, me të, edhe shërbëtorja e saj. Njerëzit e qytetit e vërenin me sy deri sa zbriti nga mali e ra në rrafshinë e atëherë nuk e panë më. 11 Ato ecnin ashtu drejt luginës, dhe ja, i dolën përpara rojet e para të asirëve. 12 Rojet e ndalën Juditën dhe e pyetën: “Prej cilit popull je, nga po vjen e ku po shkon”? Ajo u përgjigj: “Unë jam bijë hebrenjsh. Ika prej tyre, sepse s’do të vonojë e do të bëhen kafshata juaj. 13 Jam nisur të shkoj përpara Olofernit, kryekomandantit të ushtrisë suaj, për t’i dhënë njoftime të sigurta. Dua t’i tregoj drejt atij rrugën nga të shkojë për ta pushtuar mbarë malësinë për të mos i hyrë ferrë në këmbë asnjë njeriu dhe asnjë fryme të gjallë”. 14 Ndërsa këta njerëz po i dëgjonin fjalët e saja dhe po e shikonin në fytyrë - e ishte ndër sytë e tyre e bukur për mrekulli, e pashme pa masë e - i thanë: 15 “E shpëtove jetën tënde që shpejtove të zbresësh te zotëria ynë. Tani shko në tendën e tij. Disa prej nesh do të të përcjellin derisa të të dorëzojnë në duart tij. 16 Kur të kesh dalë para tij, mos ki më frikë. Tregoji fjalët që na i the dhe ai do të sillet me ty mirë”. 17 I zgjodhën nga mesi i vet njëqind njerëz, e përcollën atë dhe shërbëtoren e saj, dhe e sollën te çadra e Olofernit. 18 Në mbarë fushimin u bë një ec e eja sepse nga tenda në tendë u hap lajmi i arritjes së saj. Erdhën dhe e rrethuan ndërkohë që ajo po priste para tendës së Olofernit për ta lajmëruar tek ai. 19 S’mbetej kush pa u mrekulluar për bukurinë e saj dhe i dëgjonin plot shije fjalët e saja që ishin plot hir, dhe u jepnin nderim bijve të Izraelit për shkak të saj. Njëri i thoshte tjetrit: “Kush mund ta urrejë një popull, që paska në mesin e vet gra të këtilla? Vërtet s’është mirë të lihet i gjallë asnjë prej tyre, sepse po i le të qetë do të mund t’ia marrin mendtë mbarë botës”. 20 Dolën rojet dhe shërbëtorët e Olofernit dhe e futën Juditën në tendën e tij. 21 Oloferni po pushonte në një shtrat nën një mbulesë grimizi të stolisur me ar, smarald e me gurë të paçmueshëm. 22 E lajmëruan për ardhjen e saj. Ai doli në paraderën e tendës i paraprirë me shumë pishtarë të argjendtë. Dhe e shtinë Juditën tek ai. 23 Kur Judita u gjet në praninë e kryekomandantit e të shërbëtorëve të tij, të gjithë e lëvduan bukurinë e saj. Ajo u përkul me nderim para tij me fytyrë përdhe, por e ngritën shërbëtorët e tij. Takimi i parë i Juditës me Olofernin 11 1 Oloferni i tha Juditës: “Qetësohu, o grua, dhe mos të të lëshojë aspak zemra, sepse unë nuk i bëj asnjë të keqe njeriut që i pëlqen t’i shërbejë Nabukodonozorit, mbretit të mbarë botës. 2 Po edhe tani, po të mos më kishte përbuzur populli yt i malësisë, unë nuk do të kisha ngritur heshtë kundër tij. Vetë deshën kështu. 3 Tani më trego pse ike prej tyre e erdhe tek ne? Patjetër do të kesh ardhur për të shpëtuar jetën! Mos ki asfarë frike: e ke të sigurtë jetën sonte e më tutje! 4 Askush s’do të guxojë të të bëjë keq, por do të sillem me ty mirë siç veprohet me shërbëtorët e Zotërisë tim, Nabukodonozorit”. 5 Judita iu përgjigj: “Denjohu t’i pranosh me mirësi fjalët e shërbëtores sate dhe më lejo të flas si shërbëtorja jote. Sonte shërbëtorja jote s’do të thotë asnjë gënjeshtër para zotërisë tim. 6 Vetëm ndiqi këshillat e shërbëtores sate dhe Hyji do t’i japë përfundim të mirë veprës sate, Imzot. 7 Pasha jetën e Nabukodonozorit, mbretit të mbarë botës, pasha ushtrinë e atij, që të dërgoi për t’i nxjerrë në rrugë të drejtë të gjithë njerëzit. Me ndihmën tënde nuk i janë përkulur vetëm njerëzit, por edhe bagëtitë, kafshët e egra dhe shpendët të gjithë do të jetojnë për Nabukodonozorin dhe për shtëpinë e tij. Kemi dëgjuar për mençurinë dhe zgjuarsinë tënde. Mbarë bota e ka marrë vesh se vetëm ti je i mirë në mbarë mbretërinë, i shquar për urtësi dhe i mrekullueshëm në mjeshtrinë e drejtimit të luftës. 9 Pastaj e kemi marrë vesh, Imzot, edhe fjalimin që e mbajti në këshillin tënd Ahiori, i dimë fjalët e tija, sepse njerëzit e kanë pranuar në Betuli dhe ai i tregoi të gjitha që i ka folur para teje. 10 Prandaj, Zotërues e Zotëri, mos e merr për asgjë fjalën e tij, por vëre në zemër, sepse është e vërtetë. Është e vërtetë se populli im nuk mund të ndëshkohet as s’ka pse kush çon shpatë kundër tij përveç nëse mëkaton kundër Hyjit të vet. 11 Por, që Imzoti të mos mbetet i zhgënjyer dhe që puna të mos i shkojë huq, le ta dijë se vdekja do të bjerë mbi kokat e tyre, sepse kanë mëkatuar dhe e kanë hidhëruar Zotin e vet. 12 Pasi atyre u munguan nozullimet dhe u paksua uji i pijshëm, deshën të vënë dorë mbi kafshët dhe gjithçka tjetër që Hyji i tyre u urdhëroi të mos i hanë. 13 Madje ata kanë vendosur t’i hanë edhe frytet e para të grurit dhe të dhjetën e verës e të vajit, që janë të shenjtëruara për priftërinjtë tanë në Jerusalem, që shërbejnë para fytyrës së Hyjit tonë, e këto askush prej popullit nuk guxon as t’i prekë me dorë. 14 Mirëpo, tani dërguan disa njerëz në Jerusalem - pasi edhe banorët e atjeshëm po e bëjnë të njëjtën gjë - që t’ua nxjerrin nga pleqtë një leje të tillë. 15 Por, porsa t’u vijë përgjigjja dhe, atë ditë që ata ta vënë në veprim, do të bëhen preja jote. 16 Këndej, edhe unë shërbëtorja jote, porsa e mora vesh këtë gjë, ika prej faqes së tyre dhe Hyji më solli këtu për të kryer me ty një gjë që, kur të dëgjohet, do të mrekullohet mbarë bota, të gjithë ata që do ta dëgjojnë. 17 Sepse shërbëtorja jote është një grua e devotshme dhe se natë e ditë i shërben Hyjit të qiellit. Prandaj, Imzot, nëse mbetem pranë teje, shërbëtorja jote kërkon që t’i lejohet të dalë natën jashtë në drejtim të luginës. Atje do t’i lutem Zotit dhe ai do të më tregojë kur ata do të mëkatojnë. 18 Unë do të kthehem e do të të tregoj, ti do të dalësh me ushtrinë tënde dhe askush prej tyre nuk do të mund të qëndrojë përballë. 19 Do të të prij përmes Judesë derisa të vij përballë Jerusalemit, do ta vë fronin tënd në mes të tij. Atëherë ti do t’i bashkosh ata si ato delet që s’kanë bari. Asnjë qen nuk do të lehë kundër teje. Këto gjëra më kanë qenë paralajmëruar mua dhe qeshë dërguar të vij e t’ua tregoj”. 20 Olofernit i pëlqyen fjalët e saja po ashtu edhe të gjithë oborrtarëve të tij dhe të marrë mendësh nga bukuria dhe urtësia e saj, thanë: 21 “Skaj më skaj të dheut nuk mund të gjendet edhe një grua si kjo për bukurinë e fytyrës dhe për urtësinë e fjalës”! 22 Atëherë Oloferni i tha: “Hyji bëri mirë që të dërgoi para njerëzve të tu. Fuqi do të jesh për duart tona e rrënim për ata që e përbuzën Zotërinë tim. 23 Ti je e bukur në fytyrë dhe e mençur në fjalë. E nëse do të bësh ashtu siç the, Hyji yt do të jetë Hyji im. Ti do të jetosh në pallatin e mbretit Nabukodonozor dhe do të jesh e përmendur në mbarë botën”! 12 1 Urdhëroi të vendoset në dhomën e argjendit të vet, t’i shtrohej tryeza me gjellët e tija e t’i jepej verë prej verës së tij. 2 Por Judita foli: “Unë nuk do të ha nga këto ushqime që të mos bëj ndonjë mëkat, por le të më përgatitet ushqimi prej atyre që kam sjellë me vete”. 3 Oloferni e pyeti: “Po nëse të mbarohet kjo që e ke sjellë me vete, ku do të marrim ushqime të tilla e të t’i japim kur këtu ndër ne s’ka asnjë njeri nga fisi yt”? 4 Por Judita iu përgjigj: “Pasha jetën tënde, Imzot, shërbëtorja jote as që do të arrijë ta mbarojë atë që ka sjellë me vete, sepse Zoti vetë me dorën e asaj do të veprojë si ka vendosur”. 5 Atëherë shërbëtorët e Olofernit e shtinë në tendë dhe Judita fjeti deri në mesnatë. U ngrit para rojës së agimit 6 dhe dërgoi te Oloferni për t’i thënë: “Le të japë urdhër tani Imzoti t’i lejohet shërbëtores së tij të dalë në lutje”. 7 Oloferni u urdhëroi rojeve të veta të mos e ndalojnë. Ajo qëndroi tri ditë në fushim. Natën dilte në luginën e Betulisë dhe shkonte e lahej në burimin e ujit. 8 E ndërsa ngjitej, i lutej Zotit, Hyjit të Izraelit, t’ia sillte për së mbari për ta nderuar popullin e vet. 9 E pastruar hynte në tendën e vet dhe aty qëndronte deri sa i sillej në mbrëmje ushqimi. Judita në banketin e Olofernit 10 Në ditën e katërt, Oloferni përgatiti një banket, në të cilin i thirri të gjithë oficerët e vet me përjashtim të atyre që ishin në shërbim. 11 I tha Eunukut Bagoa, që i mbikqyrte të gjitha gjërat e tija: “Shko e mbushja mendjen asaj gruaje hebreje që është te ti, të vijë e të hajë e të pijë me ne. 12 Për besë është turp për ne ta lëmë të shkojë një grua e tillë pa pasë ndërruar dy tri fjalë me të. Nëse s’do të dimë ta përfitojmë, do të na përqeshë. 13 Bagoai doli nga tenda e Olofernit dhe shkoi te Judita e i tha: “Të mos përtojë kjo bukuroshe të vijë te zotëria im të nderohet në praninë e tij e ta pijë verën e gëzimit bashkë me ne. Në ditën e sotme do të nderohet siç nderohen bijat e zgjedhura të bujarëve të asirëve, që kanë të drejtë të qëndrojnë në shtëpinë e Nabukodonozorit”. 14 Judita iu përgjigj: “Po kush jam unë që t’i kundërshtoj imzotit? Gjithçka është e pëlqyeshme në sytë e tij, unë do ta bëj me gjithë ëndje dhe kjo do të jetë një kënaqësi deri në ditën e vdekjes sime”. 15 Menjëherë u ngrit dhe u vesh me petkat e veta, u stolis me çdo stoli gruaje. Para saj shërbëtorja e saj me postat e deshve që i kishte marrë prej Bagoit për përdorimin e përditshëm e i kishte shtrirë për të ngrënë mbi ta përballë Olofernit. 16 Judita hyri dhe u ul në shtrojë. Zemra e Olofernit u shqetësua, shpirti iu trondit thellë e gjithnjë shkonte duke u shtuar epshi i tij ndaj saj. Vërtet që ditën që e pa, kërkonte kohën kur ta ngashnjente. 17 Oloferni i tha: “Pi e gëzohu bashkë me ne!” 18 Judita iu përgjigj: “Do të pi me ëndje, zotëri, sepse sot po ndjej se jeta ime është aq e madhe sa nuk ka qenë kurrë më parë prej se kam lindur”. 19 Hëngri e piu në praninë e tij çka i kishte bërë gati shërbëtorja e saj. 20 Olofernin e kënaqi prania e saj dhe piu aq shumë atë ditë, sa që që kur kishte lindur nuk kishte pirë aq në një ditë. 13 1 Kur u bë mbrëmje, oficerët e tij shpejtuan të largohen. Bagoai, pasi i përcolli edhe ata që ishin aty, te zotëria, rojet e tija, e mbylli përjashta derën e tendës. Të gjithë shkuan në banesat e veta. Të gjithë ishin të lodhur e të mbetur nga pija e shumtë që kishin pirë. Mbeti vetëm Judita në tendë, kurse Oloferni i shtrirë gjerë e gjatë në shtratin e vet ishte i dehur e i përlyer me verë. 3 Judita i tha shërbëtores së vet të shkojë e të presë te tenda se do të dalë të lutet si për ditë. Ajo i tha se do të dalë për lutjen e vet dhe kështu i tha edhe Bagoait. 4 Të gjithë ishin larguar nga prania e Olofernit dhe askush, as i vogël as i madh, nuk kishte mbetur në dhomën e fjetjes së tij. Judita u ngrit në këmbë te koka e tij e u lut: “Zot, o Zot, Hyj që jep fuqi, përkrahe në këtë moment veprën e duarve të mia që të madhërohet Jerusalemi! 5 Tani është koha ta kujtosh trashëgimin tënd e ta sendërtosh synimin tim për t’i zhdukur armiqtë që u ngritën kundër nesh”. 6 U afrua te ballaniku i shtratit që ishte te koka e Olofernit, e hoqi shpatën e tij që ishte e varur në të. 7 U afrua te shtrati, ia ngjiti flokëve të kokës së tij e tha: “Hyji i Izraelit, më jep fuqi në këtë ditë, o Zot, Hyji i Izraelit!” 8 Dhe dy herë me sa pati fuqi e goditi në qafë dhe i këputi kokën prej trupit. 9 Pastaj trupin e tij e rrokullisi nga shtrati dhe e hoqi mbulesën nga shtyllakët. Pas pak doli jashtë dhe ia dha kokën e Olofernit shërbëtores së vet, 10 të cilën e qiti në duqet e ushqimeve të veta. Atëherë të dyja së bashku dolën sipas zakonit gjoja për t’u lutur. Si e lanë fushimin, e kaluan krejt luginën, u kapën përpjetë malit të Betulisë dhe arritën te dera e qytetit. Judita e sjell në Batuli kokën e Olofernit 11 Judita prej së largu u thirri rojeve të dyerve: “Hapeni, hapeni shpejt derën! Me ne është Hyji, Hyji ynë, për të kryer trimëri përsëri në Izrael e për ta dëftuar fuqinë kundër armiqve tanë, siç bëri edhe sot”! 12 Sapo njerëzit e qytetit e dëgjuan zërin e saj, shpejtuan të zbresin te dera e qytetit të vet dhe i thirrën pleqtë e qytetit. 13 Dhe të gjithë nga më i vogli deri te më i madhi ngarendën, sepse u çuditën që ishte kthyer. E hapën derën, i pranuan, ndezën një zjarr për të bërë dritë dhe e rrethuan. 14 Judita u tha me zë të lartë: “Lëvdojeni Zotin tonë! Lëvdojeni atë, sepse nuk ia mohoi shtëpisë së Izraelit mëshirën e vet, por sonte i ndrydhi armiqtë tanë me dorën time”! 15 Atëherë e nxori nga duqet kokën, ua dëftoi e tha: “Je, koka e Olofernit, kryekomandantit të forcave të armatosura të asirianëve dhe, ja, mbulesa nën të cilën pushonte i dehur! Zoti e goditi me dorën e një gruaje! 16 Jetë e lavdi Zotit, që më ruajti në ndërmarrjen time, sepse e ngashnjeu atë bukuria e fytyrës sime për humbjen e tij dhe nuk mundi të bëjë asnjë të keqe me mua për të më fëlliqur e për të më turpëruar”! 17 Mbarë populli i mrekulluar përtej mase, ra përmbys në adhurim, i dha adhurim Hyjit e brohoriti njëzëri: “Qofsh bekuar, ti o Hyji ynë, që në ditën e sotme i asgjësove armiqtë e popullit tënd”! 18 Atëherë Ozia i tha Juditës: “Qofsh bekuar, o bijë, prej Hyjit të Tejetlartë, më tepër se të gjitha gratë e mbarë botës! Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë, Krijuesi i qiellit e i tokës, që të udhëhoqi t’ia presësh kokën prijësit të armiqve tanë! 19 Jo, jo, kurrën e kurrës nuk do të shlyhet prej zemrave të njerëzve lavdia jote! Por përgjithmonë do ta përkujtojnë fuqinë e madhe të Hyjit! 20 Të shpërbleftë Zoti me nder të përhershëm, të mbuloftë me të gjitha të mirat, që s’e kurseve jetën tënde për shkak të përvujtërimit të fisit tonë: ti u sule kundër rrënimit tonë duke vepruar drejt para syve të Hyjit tonë!” E mbarë populli brohoriti: “Ashtu qoftë! Ashtu qoftë”! V. NGADHNJIMI Hebrenjtë sulen kundër fushimit të asirianëve 14 1 Judita u tha: “Më dëgjoni, vëllezër! Merreni këtë kokë e vareni në majë të mureve tona! 2 Atëherë, kur të dalë drita dhe dielli të ngrihet mbi tokë, kapni armët tuaja dhe çdo njeri i aftë për armë le të dalë prej qytetit. Pastaj bëni sikur po niseni drejt rrafshit për t’i sulmuar rojet e para të asirianëve, por mos zbritni! 3 Atëherë ata do t’i marrin armët, do të shkojnë në fushimin e vet, do t’i zgjojnë prijësit e ushtrisë asiriane dhe do të vrapojnë te tenda e Olofernit. Kur të mos e gjejnë atë, do t’i kapë frika dhe do të ikin para jush. 4 Atëherë ju dhe të gjithë banorët e Izraelit ndiqini dhe i shfarosini në ikje! 5 Por, para se të bëni kështu, thirrjani Ahiorin Amonit që ta shohë dhe ta njohë atë që e shau shtëpinë e Izraelit dhe e dërgoi atë te ne si të dënuar me vdekje”. 6 E thirrën Ahiorin që ishte në shtëpinë e Ozisë. Ky, kur erdhi dhe e pa kokën e Olofernit në dorë të një trimi në mes të kuvendit, ra me fytyrë përdhe e i ra të fikët. 7 Kur ata e çuan, shkoi e ra përpara Juditës, e nderoi me fytyrë përdhe e tha: “Qofsh bekuar në të gjitha tendat e Judës dhe ndër të gjthë popujt! Të gjithë ata që do ta dëgjojnë emrin tënd tmerri do t’i pushtojë! 8 E tani më trego gjithçka ke bërë në këto ditë”. Judita në mes të popullit i tregoi gjithçka kishte bërë prej ditës që kishte shkuar deri në momentin që po fliste me ta. 9 Kur ajo pushoi së foluri, mbarë populli brohoriti me zë të lartë plot hare e gëzim në mbarë qytetin. 10 Kur Ahiori pa gjithçka kishte bërë Hyji i Izraelit, besoi në Hyjin me gjithë zemër, u rrethpre dhe kështu u bë anëtar i popullit të Izraelit për gjithmonë. 11 Kur zbardhi agimi, e varën kokën e Olofernit në mur, secili luftëtar mori armët e veta dhe çeta - çeta u lëshuan shpatit të malit. 12 Asirianët, kur i panë, i lajmëruan prijësit e vet, mijëtarët, oficerët. 13 Shkuan te tenda e Olofernit e i thanë Bagoait, mbikëqyrësit të punëve të tija: “Zgjoje imzotin, sepse judenjtë morën guxim të zbresin te ne për të luftuar e t’ua humbim farën”. 14 Bagoai hyri dhe trokiti në tendë; mendonte se do të ishte fjetur me Juditën. 15 Por, pasi askush nuk iu përgjigj, e hapi tisin, hyri në dhomë dhe e gjeti të hedhur trupin e tij përtoke, të vdekur, të zhveshur e pa kokë. 16 Atëherë lëshoi një britmë të madhe me vaj, dënesë e me gjëmë të madhe dhe i shqeu petkat e veta. 17 Pastaj hyri në dhomë ku kishte qenë pritur si mikeshë Judita, por nuk e gjeti atë. Atëherë vrapoi para popullit e bërtiti: 18 ”Na kanë tradhtuar këta skllevër! Një grua e vetme e hebrenjve e ka turpëruar shtëpinë e Nabukodonozorit! Ja, Oloferni i shtruar përdhe pa kokë”! 19 Prijësit e ushtrisë asiriane, kur i dëgjuan këto fjalë, i shqyen petkat e veta, shpirtin ua pushtoi një tmerr i madh dhe u bë një britmë e një gjëmë fort e madhe në fushim. 15 1 Kur dëgjuan ata që ende ishin në tendat e veta, mbetën shtang nga habia. 2 I pushtoi një frikë e një tmerr, nuk mbeti asnjë që të mund të qëndronte përbri shokut të vet, por të pështjelluar, të gjithë së bashku morën rrugën e ikjes nëpër fushë e nëpër mal. 3 Po edhe ata që e kishin ngulur fushimin në male përballë Betulisë, u lëshuan në ikje. Atëherë bijtë e Izraelit, kush ishte i armëve, u lëshuan në ta. 4 Ozia dërgoi njerëzit në Betomestaim, Bemen, Kobë, në Kolë dhe në çdo vend të Izraelit për t’i njoftuar me gjërat që kishin ndodhur dhe që të gjithë të lëshoheshin kundër armiqve për t’i shfarosur. 5 Kur bijtë e Izraelit dëgjuan, të gjithë së bashku u sulën në ta dhe i përzunë deri në Kobë. Po ashtu edhe ata që ishin në Jerusalem, erdhën nga të gjitha pjesët e malësisë - sepse i kishin lajmëruar se çfarë kishte ndodhur në fushimin e armiqve. Po edhe ata që ishin në Galaad e në Galile, i përndoqën dhe i vranë me shumicë deri sa e kaluan Damaskun dhe dolën në tokat e tyre. 6 Të tjerët, ata që jetonin në Betuli, u turrën në fushimin e asirianëve, i bënë pre dhe u pasuruan mirë. 7 Bijtë e Izraelit, si u kthyen nga shfarosja, pushtuan çka kishte mbetur. Edhe fshatrat e qytetet malore e fushore morën pre të madhe; me të vërtetë kishte me shumicë të madhe. Falenderim ndaj Juditës Kryeprifti Joakim dhe pleqtë e bijve të Izraelit që banonin në Jerusalem, erdhën t’i shohin të mirat që ia bëri Hyji Izraelit, për ta parë Juditën e për ta përgëzuar. 9 Kur Judita doli para tyre, të gjithë e bekuan dhe i thanë: “Ti je nderi i Jerusalemit! Ti je lavdia e madhe e Izraelit, ti je mburrja e popullit tonë! 10 Me dorën tënde i bëre të gjitha këto, Izraelit i solle të mira, dhe Hyji vulosi ç’bëre! Qofsh bekuar prej Hyjit të gjithëpushtetshëm, o fisnike! Në shekuj të shekujve”! E mbarë populli u përgjigj: “Ashtu qoftë! Ashtu qoftë”! 11 Populli tridhjetë ditë zgjati duke e plaçkitur fushimin, Juditës i dhanë tendën e Olofernit, të gjitha enët e argjendta, shtratin dhe mbarë orenditë. Ajo mori gjithçka, i ngarkoi në mushkat e veta, e solli edhe qerren dhe i ngarkoi në të. 12 Të gjitha gratë e Izraelit vraponin ta shihnin. E bekonin dhe luanin valle për nder të saj. Judita mori në dorë urth dhe u dhuronte grave që ishin me të. 13 Atëherë ajo dhe përcjellësit e saj punuan kurorë degësh ulliri dhe i vunë në kokë. Ajo doli në ballë të popullit dhe u priu grave në valle. Pas vinin izraelitët e armatosur, të stolisur me kurorë dhe me këngë lavdie në gojë. 14 Atëherë Judita, në mes të popullit, ia mori kësaj kënge falenderimi, ndërsa i tërë populli e përcillte me zë të lartë këngën në nder të Zotit. 16 1 Judita tha: “Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, këndoni Zotit tim me tinguj cimbalësh, psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij! 2 Ti je Hyji luftërashqimës, fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd për të më shpëtuar nga armiqtë e mi. 3 Zbriti Asuri nga malet veriore, erdhi me ushtri të tmerrshme moria e tyre i zuri përrenjtë, kalorësia e tyre kodrat i mbuloi. 4 U lëvdua se do të ma djegë vendin, se me shpatë do të m’i presë të rinjtë, se përtokë do t’m’i përplasë foshnjat, fëmijët e mi do t’i bëjë pre, virgjërat do t’i grabisë. 5 I përbuzi i Gjithpushtetshmi, 8 i theu me dorë të një gruaje! 6 Prijësi i tyre s’ra prej dorës së të rinjve, nuk e prenë bijtë e Titanit, nuk e vranë viganët e lartë, por Judita e Merariut me bukurinë e fytyrës së vet e vrau dhe ia shkurtoi kokën! 7 Ajo i zhveshi petkat e vejërisë, për t’i ngritur bijtë e shtypur të Izraelit. F’tyrën e leu me erëra të mira, 8 bishtaleca flokët nën rreze petka të linta për ta ngashnjyer. 9 Këpuca e saj ia rrembeu syrin, bukuria ia këputi shpirtin: atëherë shpata ia shkurtoi qafën! 10 Guximi i saj i tmerroi persianët, prej trimërisë së saj u hutuan medët. 11 Atëherë bërtitën: të mposhturit e mi; ata u tmerruan, të ligshtët e mi lëshuan kushtrimin urra! bërtitën të sëmurët, ata u frikësuan, e ngritën zërin, por këta ikën! 12 I therën si bij vajzukesh, i vrisnin si bij tradhtarësh: ranë nga lufta e Zotit tim! 13 Hyjit tim dua t’i këndoj një këngë të re: Je i madh e i madhërishëm, o Zot, i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm! 14 Të shërbeftë krijesa jote pse ti the e ato u bënë, çove frymën tënde e ato u formuan. Askush s’i qëndron përballë fjalës sate! 15 Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, qetat para teje si dylli do të shkrihen, por për ata që ty të druajnë gjithnjë i mëshirshëm do të jesh. 16 Punë e vogël është flia në erëkëndshmëri, edhe më i vogël dhjami i flisë së shkrumbimit: i madh është përgjithmonë ai që Zotin e ka frikë. 17 Mjerë popujt që çohen kundër popullit tim! Zoti Hyj i gjithëpushtetshëm, do t’i dënojë Ditën e gjyqit, zjarr e krimba në mish të tyre ai do të çojë: e do të qajnë e do të gjëmojnë për amshim”. 18 Kur arritën në Jerusalem, e adhuruan Hyjin, e, pasi populli qe pastruar, i kushtuan Hyjit flinë e shkrumbimit, flitë vullnetare dhe dhuratat e kushtimit. 19 Judita i kushtoi të gjitha gjërat e Olofernit që ia kishte dhënë populli si dhe mbulojësin që e kishte marrë nga dhoma e tij dhe i dha si kusht në nder të Zotit. 20 Populli festoi tre muaj para Shenjtërores në Jerusalem. Edhe Judita qëndroi me ta. Pleqëria dhe vdekja e Juditës 21 Pas këtyre ditëve gjithkush u kthye në pronën e vet. Edhe Judita shkoi në Betuli dhe jetoi në pronën e vet. Gjatë jetës së vet u bë njeri me zë të madh në mbarë dheun. 22 Shumë e kërkuan dorën e saj, por ajo s’pranoi ta prishë vejërinë e vet dhe s’njohu njeri gjatë gjithë jetës së vet qëkur burri Manaseu vdiq e u bashkua me të parët e vet. 23 Zëri i mirë i saj shkonte duke u rritur përherë e më fort, u plak në shtëpinë e burrit të vet Manaseut dhe i mbushi njëqind e pesë vjet. E la të lirë shërbëtoren e vet e pastaj vdiq në Betuli. Qe varrosur në shpellën varresore të burrit të saj Manaseut. 24 Mbarë Izraeli e vajtoi për shtatë ditë. Para se të vdiste ua ndau pasurinë të gjithë të afërmve të burrit të vet dhe të afërmve të gjinisë së vet. 25 Në kohën e Juditës po edhe gjatë kohës pas vdekjes së saj s’qe askush që pati guxim t’i trembte bijtë e Izraelit.