Isaia: 1. Kundër popullit mosmirënjohës

1

1 Vegimi i Isaisë, birit të Amosit, që e pa në lidhje me Judën e Jerusalemin në ditët e Ozisë, Joatamit, Akazit e Ezekisë, mbretërve të Judës.

Kundër popullit mosmirënjohës

2 Dëgjoni, o qiej, dëgjo, o tokë,

sepse Zoti po flet:

“Fëmijët i rrita, i burrërova,

por ata më përbuzën.

3 Kau e njeh të zotin

edhe gomari grazhdin e pronarit të vet,

kurse Izraeli nuk njeh,

populli im nuk merr vesh.”

Ndëshkimi i Judesë

4 Vaj, për popullin mëkatar,

për kombin e ngarkuar me faje,

për farën e keqe, për bijtë e prishur!

E përbuzën Zotin,

hyjshmuan Shenjtin e Izraelit,

atij ia kthyen shpinën!

5 Po ku t’ju godas më,

që vazhdoni të grumbulloni trathtitë?

Çdo kokë është e sëmurë,

çdo zemër e molisur!

6 Prej shputës së këmbës deri në majë të kresë

në të vend të shëndoshë nuk ka:

por lëndime të mbetura, plagë të çelura,

as të spastruara,

as të mbështjella, as me vaj të lyera.

7 Toka juaj e shkretuar,

qytetet tuaja të shkrumbuara me zjarr!

Arat tuaja ndër sy jua hanë të huajt

e shkretohet si në shkretim të armikut.

8 Bija e Sionit ka mbetur

porsi kasollja në vresht,

porsi kacafiku në bostan,

porsi qyteti i rrethuar.

9 Sikur Zoti i Ushtrive

të mos na e kishte ruajtur farën,

do të kishim qenë tashmë porsi Sodoma,

Gomorrës do t’i kishim përngjarë!

Kundër hipokrizisë fetare

10 Dëgjojeni fjalën e Zotit,

o prijës të Sodomës!

Dëgjoje urdhrin e Hyjit tonë,

o populli i Gomorrës!

11 “Ç’më duhen flitë tuaja të panumërta?”

‑ thotë Zoti. ‑

“Jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh,

me dhjamë bagëtish të majura;

e gjak demash,

qengjash e cjepsh nuk dua!

12 Kur donit të dilni përpara meje,

kush i kërkoi këto prej duarve tuaja

që të shëtitni nëpër tremet e mia?

13 Pushoni së më sjelluri fli të padobi;

inat e kam kemin.

Hëna e re, e shtuna dhe tubimet...

s’duroj dot paudhëri e festime bashkë!

14 Hënat e reja e festimet tuaja

i urren shpirti im,

u bënë barrë e rëndë për mua,

s’mund t’i duroj më!

15 Kur i shtrini duart tuaja në lutje,

unë i largoj sytë e mi prej jush;

edhe nëse i shumoni lutjet tuaja,

unë nuk ju dëgjoj.

Duart tuaja pikojnë gjak.

16 Lahuni, pastrohuni,

Hiqeni fajësinë tuaj prej syve të mi,

pushoni të bëni keq!

17 Mësoni të bëni vepra të mira:

kërkojeni drejtësinë,

ndihmoni të shtypurit,

jepini të drejtën bonjakut,

mbrojeni të vejën!

18 “Atëherë, ejani të pleqërohemi”

‑ thotë Zoti.

Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku,

do të bëhen bardhë si bora

edhe në qofshin të kuqe si purpuri,

do të bëhen porsi leshi.

19 Nëse doni të më dëgjoni,

do t’i gëzoni frytet e tokës;

20 nëse s’do të doni e do të më ngacmoni të hidhërohem,

shpata do t’ju përpijë!”

Kështu ka thënë goja e Zotit.

Vajtim mbi Jerusalemin

21 Po si kështu u bë lavire

qyteza besnike, plot mirësi!

Në të banonte drejtësia,

kurse tani ‑ vrasësit!

22 Argjendi yt është shndërruar në zgjyrë,

vera jote është përzier me ujë.

23 Princat e tu të pabesë,

shokë me braca,

të gjithë dhuratat po lakmojnë,

se ç’po vrapojnë pas interesit.

S’i japin të drejtën bonjakut,

padia e vejushës as s’del para tyre.

24 Prandaj kështu thotë Zoti,

Hyji i Ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit:

“Ehu, se ç’do të kënaqem mbi kundërshtarët e mi,

se ç’do të hakmerrem mbi armiqtë e mi!

25 Do ta kthej dorën time kundër teje,

me fi do ta pastroj zgjyrën tënde,

krejtësisht prej teje plumbin do ta zhduk!

26 Do t’i kthej gjykatësit e tu si dikur,

këshilltarët e tu si në kohë të lashta,

e atëherë do të quhesh Qyteti i drejtësisë,

Qyteza besnike!”

27 Sioni do të shpërblehet në saje të drejtësisë

e të kthyerit e tij në saje të së drejtës.

28 Së bashku do të sharrojnë të paudhët e mëkatarët,

do të zhduken ata që e lanë Zotin.

Kundër lëndëve të shenjta

29 Do të turpëroheni për terebentinat

që tani i mbani për të shenjtë,

do të skuqeni për shpifjet

që ju vetë i zgjodhët,

30 Sepse, do të bëheni porsi lisi që iu thanë gjethet,

dhe porsi prozhmi që pa ujë ka mbetur.

31 I forti do të bëhet li,

kurse shkëndijë vepra e tij,

të dyja së bashku do të digjen,

e askush nuk do t’i fikë.

Isaia: 2. Paqja e përhershme

2

1 Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judën e Jerusalemin.

2 Do të ndodhë në kohën e ardhshme:

mali i Shtëpisë së Zotit

do të vendoset mbi majën e maleve,

e do të ngallitë përmbi kreshta

dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.

3 Tek ai do të shkojnë shumë popuj

e do të thonë:

“Ejani të ngjitemi në malin e Zotit,

në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit

që të na i mësojë udhët e tij

e të ecim shtigjeve të tij, ”

sepse nga Sioni do të dalë Ligji

dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

4 Ai do të jetë gjykatësi i popujve

dhe do t’i gjykojë fiset e shumta,

shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë

e heshtat në drapërinj.

Një popull nuk do të ngrejë shpatën

kundër një populli tjetër

dhe më s’do të ushtrohen për luftë.

5 Eja, o shtëpia e Jakobit,

të ecim në dritën e Zotit!

Shkëlqimi e madhëria e Zotit

6 Po, ti e përbuze popullin tënd,

shtëpinë e Jakobit,

sepse janë plot me shortarë të lindjes

e me fallxhorë porsi filistenjtë

dhe ua shtrijnë dorën të huajve.

7 Toka e tij është plot me argjend e me ar,

visaret e tij janë të pambarim.

8 Vendi i tij është plot me kuaj,

të panumërta janë karrocat e tij.

Plot është vendi i tij me idhuj:

adhurojnë veprat e duarve të veta,

që i punuan gishtat e tyre.

9 U përul vdekatari, për dhe u përvujtërua burri:

Ti falje mos u jep!

10 Futu në shpellë, fshehu në pluhur

para fytyrës së tmerrshme të Zotit

e para shkëlqimit të madhërisë së tij,

11 Sytë krenarë të njeriut do të përvujtërohen,

do të kërruset madhështia e njerëzve:

atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti.

12 Po, ajo do të jetë dita e Zotit të Ushtrive,

për të përulur çdo krenar e madhështor,

kundër çdo madhështie për ta përulur;

13 kundër çdo cedri të lartë e të madh të Libanit,

kundër të gjithë lisave të Basanit,

14 kundër të gjitha bjeshkëve të larta

kundër të gjitha kreshtave të mprehta,

15 kundër çdo pirgu të lartë,

kundër çdo muri të forcuar,

16 kundër të gjitha anijeve të Tarsisit

dhe kundër të gjitha anijeve luksoze.

17 Do të përulet krenaria njerëzore,

do të përulet madhështia e të mëdhenjve:

vetëm Zoti atë ditë do të lartësohet,

18 copë e grimë idhujt do të bëhen.

19 Do të hyjnë ndër zgavrra tani

e do të struken nëpër shpella të tokës

para fytyrës së tmerrshme të Zotit

e para lavdisë së tij

kur të çohet ta dridhë tokën.

20 Atë ditë njeriu do t’ua flakë idhujt e vet të argjendtë

e idhujt e artë që i punoi për vete për t’i adhuruar,

minjve e lakuriqëve,

21 e do të hyjë në biga të qetave e në shpella të shkëmbinjve

para fytyrës së tmerrshme të Zotit

e para shkëlqimit të madhërisë së tij,

kur të çohet ta dridhë tokën.

22 Pushoni së shpresuari në njeriun,

jeta e të cilit është vetëm një frymë në vrimat e hundës.

Ç’vlerë mund të ketë pra, ai?

Isaia: 3. Anarkia në Jerusalem

3

1 Dhe, ja, Zotëruesi, Zoti i Ushtrive,

po ia heq Jerusalemit dhe Judës

çdo mbështetje e çdo ndihmë,

çdo ndihmë buke e çdo ndihmë uji,

2 trimin edhe luftëtarin,

gjyqtarin edhe profetin,

dijetarin edhe plakun,

3 pesëdhjetarin e bujarin,

këshilltarin e dijetarin e urtë

si edhe shituesin e mençur.

4 “Do meca do t’u vë të parë

e foshnjat do t’i sundojnë.”

5 Njerëzit do të grinden me njëri‑tjetrin,

i afërmi me të afërmin,

i riu me të keq do ta marrë plakun

edhe të ndershmin i pandershmi,

6 burri do të kapë vëllanë e vet

mu në shtëpinë e babait të vet:

“Ti e ke gunën, na u bëj prijës,

kjo rrënojë le të jetë në dorën tënde!”

7 Ai atë ditë do të klithë, do të thotë:

“Unë s’jam mjek, në shtëpinë time s’ka bukë as gunë;

ruaj se më bëni prijës të popullit!”

8 Se ç’po rrënohet Jerusalemi,

u rrënua Judeja

se gjuha e veprimet e tyre

janë kundër Zotit

sa që ngacmojnë sytë e Madhërisë së tij.

9 Paf’tyrësia e tyre i dënon,

si Sodoma shpallin fajin e vet,

nuk e fshehin, mjerë shpirti i tyre:

vetvetes i bëjnë gati të keqen!

10 Thuajini të drejtit: “I lumi ti!”

sepse do të hajë frytin e veprave të veta!

11 Mjerë i paudhi! Të këqijat do ta godasin:

do ta gjejnë të këqijat që ka bërë.

12 Popullin tim e shtyp një kalama,

gratë e kanë nën sundim!

O populli im, ata që thonë se je i lumë po të gënjejnë

dhe po ta prishin udhën nëpër të cilën je duke ecur.

13 Në këmbë u ngrit Zoti për të paditur,

qëndron në këmbë për të gjykuar popujt.

14 Në gjyq po hyn Zoti

me pleqtë e me krerët e popullit të vet;

“Ju ma shkretuat vreshtin

e gjërat e rrëmbyera të skamnorëve në shtëpitë tuaja i keni.

15 Me ç’të drejtë e shtypni popullin tim

dhe po e shkelmoni fytyrën e të varfërve?”,

thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.

Gratë e Jerusalemit

16 E Zoti tha:

“Çka po krenohen bijat e Sionit

e më shëtisin me qafë të zgjatur,

u bëjnë me sy njerëzve përreth,

edhe ecin me hapa të vegjël

e i bëjnë të tingëllojnë unazat në këmbë.

17 Zoti do t’ua rruajë rrashtën e kresë

bijave të Sionit,

Zoti flokët do t’ua shogë.”

18 Atë ditë Zoti do t’ua heqë të gjitha:

stolinë e sandaleve, stringla,

19 hënëza e vathë,

mëdorëza e kësula,

20 ndarset e përparëset,

brezat dhe shishet e erërave,

21 unazat e stolitë e hundës,

22 petkat e ndërrimit e krahcoret,

velat e bukur e gjilpërat,

23 pasqyrat edhe çarçafët,

lidhësat edhe leshnikët.

24 Në vend të erës së mirë, qelbësirë;

në vend të brezit, rrypinë,

në vend të flokëve bishtaleca, tullacinë;

në vend të grykcës, grathoren,

në vend të hijeshisë, shëmtimin.

Vejushat e Jerusalemit

25 “Burrat e tu prej shpatës do të bien,

trimat e tu në luftim,

26 Gjëmë e vaj do të ketë dera jote

e ti, i rrënuar, rrafsh për tokë do të biesh.

Isaia: 4. Pinjolli i Zotit

4

1 Shtatë gra do të lakmojnë një burrë të vetëm

atë ditë e do t’i thonë:

‘Me bukën tonë ne do të ushqehemi,

me petka tona ne do të vishemi,

vetëm na lër të mbajmë emrin tënd:

flake prej nesh turpin tonë. ’“

Pinjolli i Zotit

2 Dhe atë ditë pinjolli i Zotit

do të jetë nder edhe lavdi,

fryti i tokës do të jetë mburrje e galdim

për të shpëtuarit e Izraelit.

3 Dhe do të ndodhë:

kush do të mbetet gjallë në Sion,

kush të shpëtojë në Jerusalem,

do të quhen të gjithë “shenjtër”,

e do të regjistrohen

se në Jerusalem jetojnë.

Rivendosja e ardhshme

4 E kur Zoti ta ketë larë

ndytësinë e bijës së Sionit,

edhe gjakun ta ketë larë

që u derdh në Jerusalem

me fuqi të frymës e me forcë të zjarrit,

5 Zoti i lum do të krijojë

përmbi mbarë malin Sion

e mbi tubimin e tij

një re tymi ditën,

kurse natën flakë zjarri të ndezur.

Sepse, mburojë mbi të gjitha do të jetë Lavdia

6 tandë që mbron nga vapa e ditës

strehë shpëtimi nga stuhia e shiu.

Isaia: 5. Kënga e vreshtit

5

1 Do t’ia këndoj të dashurit tim

këngën e mikut tim

mbi vreshtin e tij.

Miku im kishte vreshtin

në një kodër pjellore.

2 E thuri,

ia qëroi gurët,

e mbëltoi me hardhi të zgjedhura,

në mes të tij e ndërtoi kullën,

në të punoi edhe shtrydhësin.

Priste se do t’i bënte rrush,

por i bëri vetëm larushk.

3 Tani, banorë të Jerusalemit

e ju burrat e Judesë,

ndajeni këtë pleqëri

mes meje e vreshtit tim.

4 Ç’u desh tjetër të bëj për vreshtin

që s’e bëra?

Shpresoja se do të më jepte rrush,

përse më bëri veç larushk?

5 Juve tani po ju dëftoj

ç’do t’i bëj unë vreshtit tim:

do tà shthur gardhin e tij,

që të bëhet djerr

do t’rrëzoj ledhet e tij

që të shkelmohet.

6 Le të mbesë shkretë

mos të kihet as mos të mihet,

le ta mbulojnë halluga e ferra;

reve unë do t’u urdhëroj

një pikë shi mbi të të mos bjerë.

7 Vreshti i Zotit të Ushtrive

është shtëpia e Izraelit,

fidanët e zgjedhur të tij

janë banorët e Judesë.

Prita të ushtrojnë virtytet,

dhe ja, vetëm paudhësi,

drejtësinë prita, ja ofshamat!

 

Mallkimet

8 Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi

kush i shton arës i shton arë deri në skaj të vendit!

A thua ju të vetmit do të jetoni këtu mbi dhe?

9 Këtë be e bëri në veshët e mi Zoti i Ushtrive:

“Me siguri shkretë do të mbesin shumë shtëpi,

të mëdha e të bukura, por pa banorë.”

10 Sepse dhjetë ditarë vreshta

do të japin veç një vozë verë,

tridhjetë babune farë

do të qesin veç tri babune.

11 Mjerë ata që në mëngjes herët

vrapojnë pas pijeve dehëse

dhe pinë natën deri vonë,

prej verës të përvëluar.

12 Harpa e kitara,

lodra e fyej në gosti me verë,

s’janë në kujdes për veprim të Zotit

as s’i shikojnë veprat e duarve të tij.

13 Këndej populli im do të çatdhesohet

për arsye se mend nuk kanë,

urie bujarët do të vdesin,

etja turmat do t’i djegë.

14 Po, Nëntoka e hapi grykën,

vesh më vesh e çeli gojën,

do të bien në të bujarë e popull,

ajka e gëzimi i Jerusalemit!

15 Do të përulet njeriu, do të përvujtërohet burri,

do të përulen të krenarëve sytë.

16 Do të lartësohet Zoti i Ushtrive në gjyq,

Hyji i shenjtë shenjt do të dëftohet

me zbatimin e drejtësisë.

17 Qengjat rëndom do të kullosin

si nëpër livadh që u përket,

kurse të huajt do të hanë,

në gërmadhat e të pasurve.

18 Mjerë ata që e zvarrisin të keqen

me konopët e padrejtësisë

edhe mëkatin si mashkullin e qerrit,

19 ata që thonë: “Le të shpejtojë,

vrik ta kryejë veprën e vet

që ta shohim;

le të nxitojë e le të vijë

synimi i Shenjtit të Izraelit

që ta njohim!”

20 Vaj për ata që të keqen e quajnë të mirë

e të mirën të keqe,

që terrin e mbajnë për dritë

e që dritën e mbajnë errësirë,

që të idhtën e mbajnë për të ëmbël

e të ëmblën e mbajnë për të idhtë!

21 Mjerë ata që në sytë e vet

e mbajnë veten se janë të urtë,

që për të mençur e çmojnë veten!

22 Mjerë ata që janë trima për të pirë verë,

të parët për të përzier pije të forta,

23 që për dhurata e shfajësojnë të shtrembëtin

e të drejtit ia mohojnë të drejtën!

24 Prandaj, sikurse gjuha e zjarrit e djeg kashtën,

edhe zjarri e djeg bykun

ashtu do të kalbet rrënja e tyre,

e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri,

sepse e flakën Ligjin e Zotit të Ushtrive,

blasfemuan fjalën e Shenjtit të Izraelit.

Zemërimi i Zotit

25 Prandaj shpërtheu zemërimi i Zotit

kundër popullit të tij dhe ai

e çoi dorën e vet kundër tij dhe e goditi

kështu që u tundën malet:

rrafsh mbuluan tokën kufomat e tyre

porsi plehu nëpër rruga.

Mirëpo, s’u shua hidhërimi i tij,

gjithnjë dorën e mban lart.

Pushtimi asirian

26 Ai ngriti shenjën e luftës popullit të largët,

i fërshëlliu në skajin e botës,

fluturimthi, ja, po vjen!

27 Një ndër ta s’është i mekur, i lodhur,

as nuk kotet as s’i vjen gjumë,

nuk zgjesh brez as nuk zbath sandale.

28 Shigjetat e tij janë të mprehta, harqet të tendosur,

gurgacë janë thundrat e kuajve të tyre,

rrotat e qerreve të luftës si stuhia e thellimit!

29 Ulërima e tij si ulërimë luani:

ulërin si këlyshët e luanit,

kërcëllon dhëmbët, prenë e rrëmben,

në vend të sigurt e vendos

askush kthetrash s’mund t’ia nxjerrë.

30 Do të shun’g’llojë mbi të,

si shun’g’llon deti.

Shikon vendin: errësirë, ngushticë,

dritën e mbulon errësira!

Isaia: 6. Thirrja e Isaisë

6

1 Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. 2 Serafinët qëndronin në këmbë afër tij; secili kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonin fytyrën e vet, me dy mbulonin këmbët e veta dhe me dy fluturonin.

3 I brohoritnin njëri‑tjetrit:

“Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive!

Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!”

4 E u dridhën pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri

shungullues dhe Shtëpia u mbush me tym.

5 Unë thashë:

“I mjeri unë, tani sharrova,

sepse jam njeri me buzë të papastra,

banoj në popull buzësh të papastra,

e me sytë e mi e pashë Mbretin,

Zotin e Ushtrive!”

6 Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje:

në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri;

7 Me të ma preku gojën e më tha:

“Ja, me gacë i preka buzët e tua,

mëkati yt u shlye,

faji yt u fal!”

8 Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte:

“Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?”

Unë u përgjigja: “Ja, ku më ke, çomë mua!”

9 Ai tha: “Shko e thuaj këtij populli:

‘Mirë dëgjoni, por gjë mos kuptoni,

mirë shikoni, por gjë mos njihni!’

10 Bëje të trashë zemrën e këtij “mileti”,

shurdhoja veshët,

verboja sytë,

që të mos shohë me sytë e vet,

të mos dëgjojë me veshët e vet,

të mos kuptojë me zemrën e vet

e të mos kthehet dhe të mos shërohet!”

11 Unë pyeta:

“Deri kur, o Zot?”

Ai u përgjigj:

“Derisa të mbesin shkretë

qytetet pa banorë,

shtëpitë pa njeri

e toka të lihet djerr.”

12 Gjinden Zoti larg do ta tresë

e do të jetë shkretëtim i madh në vend,

13 po edhe e dhjeta pjesë që në të do të mbesë

përsëri do t’i dorëzohet vrasjes,

do të pritet si terebinti e qarri,

të cilëve s’u shpëton tjetër, pos cungut.

Cungu i mbetur farë do të jetë e shenjtë.

Isaia: 7. Qortimi i parë i Isaisë

7

1 Në ditët e Akazit, të birit të Joatamit, të birit të Ozisë, mbretit të Judës, u çua Rasini, mbreti i Sirisë dhe Faceu, i biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, dhe morën rrugën drejt Jerusalemit për ta sulmuar por nuk mundën ta pushtojnë. 2 Atëherë i çuan këtë lajm shtëpisë së Davidit: “Sirianët ngulën fushimin në Efraim.” Atëherë zemra e Akazit e zemra e mbarë popullit u dridh siç dridhen pemët e pyllit kur fryn era.

3 Atëherë Zoti i tha Isaisë: “Ti e yt bir Seariasubi dilni para Akazit në skaj të ujësjellësit të ujëmbajtësit të sipërm në udhën e Arës së Rrobalarësit.

4 Thuaj kështu:

Ki kujdes, mos u shqetëso! Mos druaj e të mos trembet zemra jote prej këtyre dy urëve me tym, prej flakës së zemërimit të Rasinit të Sirisë e prej birit të Romelisë, 5pse Siria, Efraimi e biri i Romelisë kanë vendosur të të shpartallojnë e thonë:

6 ‘Të sulemi kundër Judës, t’ia shtiem frikën, ta pushtojmë e t’i vëmë për mbret të birin e Tabeelit’.

7 Kështu thotë Zoti Hyj:

“Kjo s’do të ndodhë! Kështu s’do të jetë!

8 Kryet e Sirisë është Damasku

e kryet e Damaskut është Rasini!

Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet

e Efraimi s’do të jetë më popull.

9 Kryet e Efraimit është Samaria,

e kryet e Samarisë është biri i Romelisë.

Nëse s’do t’më besoni,

nuk do të shpëtoni!”

Qortimi i dytë Akazit. Emanueli shenjë

10 P ërsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: 11 ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.” 12 Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”

13 Atëherë Isaia tha:

“Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit:

A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve

e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?

14 Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme.

Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë

e për me emër do ta quajë Emanuel!

15 Do të ushqehet me mazë e me mjaltë

derisa të mësojë ta flakë të keqen

e të zgjedhë të mirën.

16 Sepse, para se djali të arrijë të mësojë të flakë të keqen

e të zgjedhë të mirën,

do të mbetet shkret vendi,

dy mbretërit të cilët ti i ke frikë.

17 Zoti do të sjellë mbi ty,

mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e babait tënd

ditë që nuk u panë

që kur Efraimi u nda nga Juda

‑ mbretin e asirianëve.”

 

Parakallëzim i një pushtimi

18 “E do të ndodhë atë ditë:

Zoti do t’u fërshëllejë mizave

që janë përtej brigjeve të lumenjve të Egjiptit

edhe bletëve që janë në viset e Asurit

19 dhe do të vijnë e do të pushojnë

në luginat plot gremina,

në shpellat e qetave,

në të gjitha ferrishtat

e në të gjitha kullosat.

20 Atë ditë Zoti do të rruajë

me brisk rrues të huajtur përtej Lumit

‑ me anë të mbretit të asirianëve ‑,

koka e qime këmbësh,

po edhe mjekrrën do ta rruajë e stërruajë!

21 Atë ditë do të ndodhë:

njeriu do të mbajë nga një lopë e dy dele

22 e, në saje të mbushullisë së qumështit,

me mazë do të ushqehet;

e vërtet, do të ushqehet me mazë e me mjaltë secili

që do të shpëtojë gjallë në vend.

23 Atë ditë: ku ishin një mijë hardhi

që vlenin një mijë sikla të argjendta,

ferra e halluga do të bëhen!

24 Do të hyjnë në të të armatosur me shigjetë e hark,

sepse hallugë e ferrë mbarë vendi do të bëhet.

25 Të gjitha të mihura me bel

askush s’do t’i përshkojë

prej frikës së ferrave e të murrizit.

Do të bëhen kullota gjedhësh,

vend i rrahur prej bagëtish.”

Isaia: 8. Lindja e një djali të Isaisë

8

1 Zoti më tha: “Merre një rrasë të madhe shkrimi e shkruaj në të me shkrim të rëndomtë: ‘Maher Salal Has Bac’. 2 Unë mora dëshmitarë besnikë kryepriftin Uri e Zakarinë, birin e Barakisë. 3 Iu afrova profeteshës dhe ajo ngjizi e lindi djalin. Atëherë Zoti më tha: ‘Ngjitja emrin Maher Salal Has Bac’, 4 sepse para se fëmija të dijë të thërrasë ‘Babi’, e ‘Mami’, do të merren pasuritë e Damaskut e preja e Samarisë e do të çohen para syve të mbretit të asirianëve.”

Siloehu e Eufrati

5 Zoti shtoi e më tha përsëri:

6 “Pasi ky popull e përbuzi ujët e Siloehut

që rrjedh qetë e në heshtim

e dridhet para Rasinit e birit të Romelisë,

7 për këtë arsye Zoti do të sjellë mbi ta

ujërat e forta e të shumta të Eufratit

‑mbretin e asirianëve e mbarë nderin e tij‑

do të shpërthejë në të gjitha degët e tij,

do të vërshojë mbi të gjitha brigjet e tij,

8 do të bjerë nëpër mbarë Judenë,

do ta vërshojë e do ta gërryejë,

deri në fyt do t’i arrijë!

Krahët e tij të shtrirë do ta mbulojnë

fund e majë vendin tënd, o Emanuel!”

Tmerri i pushtuesve

9 Kushtrimohuni sa të doni, o popuj, e megjithatë do të shpartalloheni!

Dëgjoni ju, o popuj të largët të gjithë,

ngjeshni armët e dridhuni,

farkoni armë e dridhuni,

10 Sendërgjoni synime ‑ kot e keni,

nxirrni urdhëresa sa të doni ‑ s’do të zbatohen,

sepse me ne është Zoti!

Misioni i Isaisë

11 Po, kështu më tha Zoti

kur më kapi me dorën e vet

e më qortoi të mos eci

udhës së këtij populli. Më tha:

12 “Mos quani përbetim

gjithçka që ky popull e quan përbetim,

çka ai druan, ju mos e druani,

frikë mos e kini.”

13 Zotin e Ushtrive atë shenjtëroni,

Ai le të jetë frika juaj, tmerri juaj.

14 Ai duhet të jetë shenjtërorja,

guri ku merret në thua,

qeta nga thyhet qafa

për dy shtëpitë e Izraelit,

lak e kurth për banorët e Jerusalemit.

15 Në të do të marrin në thua shumë veta,

do të rrëzohen e do të copëtohen,

do të bien në rrjetë,

në kurth do të zihen.

16 Mbylle e lidhe këtë dëshmi, vulose zbulesën në zemrat e nxënësve të mi. 17 Kam besim në Zotin që e fshehu fytyrën e vet nga shtëpia e Jakobit dhe shpresoj në Të. 18 Dhe ja, unë e djemtë që m’i fali Zoti, jemi prej Zotit të Ushtrive që banon në Sion, shenjë e parakallëzim për Izraelin.

19 Kur t’ju thonë: “Pyetni shpirtrat e shortarët që luajnë me buzë e murmurisin. Pse a populli nuk duhet t’i pyesë hyjnitë e veta, t’i pyesë të vdekurit për të gjallët?’“ 20 Në ligj mbështetuni, në dëshmi!

Ata që nuk do të thonë kështu, agimin nuk do ta presin.

Udhëtim në errësirën e natës

21 Do të endet nëpër vend i ndrydhur e i uritur, e, i uritur, do të tërbohet

e do të mallkojë mbretin e vet e hyjin e vet.

Do t’i çojë sytë kah qielli,

22 do të shikojë tokën:

dhe, ja, vuajtje e errësirë,

terr ndrydhës e mug i dendur!

23 Porse më nuk do të ketë errësirë

ku më parë kishte ndrydhje.

Çlirimi

Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane.

Isaia: 9. Vuajtjet e mbretërisë së Veriut

9

1 Populli që ecte në errësirë,

pa një dritë të madhe;

për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes,

zbardhi për ta drita.

2 Ti e shtove gëzimin,

e madhërove harenë;

ata gëzohen në praninë tënde

si njerëzit që i gëzohen korrjes,

si gëzohen kur ndajnë prenë.

3 Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit

zgjedhën e tij të rëndë,

lozën e krahut të tij,

e shkopin e atij që e dëbonte përpara.

4 Sepse të gjitha sandalet e luftës,

e çdo petk i lyer me gjak,

do të digjet, pre do të jetë e zjarrit.

5 Sepse na lindi një foshnjë,

fituam një djalë.

Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë.

Për emër do të quhet:

Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë,

Atë i amshueshëm, Princ i Paqes.

6 E madhe do të jetë mbretëria e tij

dhe paqja s’do të ketë mbarim

mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij,

që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme

në të drejtë e në drejtësi.

Që tani e për amshim do ta bëjë këtë

dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.

Vuajtjet e mbretërisë së Veriut

7 Zoti dërgoi një fjalë kundër Jakobit

e ajo ra mbi Izraelin.

8 Do t’ia njohë rrjedhojat mbarë populli,

efraimasit e banorët e Samarisë,

të cilët thonë me krenari e me mendje të madhe:

9 “Na kanë rënë tullat,

do të ndërtojmë me gurë të latuar,

na i kanë prerë fiqtë e egjër,

do t’i zëvendësojmë me cedra!”

10 Kundër këtij populli Zoti i ngriti armiqtë e tij,

i ngacmoi kundërshtarët e tij:

11 Nga lindja Sirinë e nga perëndimi filistenjtë,

që e përlugtuan Izraelin me të dy bulshinjtë.

E megjithëkëtë nuk u fashit zemërimi i tij,

por gjithnjë dora e tij rri e shtrirë.

12 Por populli nuk u kthye kah Ai që e goditi

dhe nuk e kërkuan Zotin e Ushtrive.

13 Prandaj Zoti ia shkurtoi Izraelit

kokë e bisht, palmë e kallam

brenda një dite të vetme!

14 Prijësi e bujari ‑ këta janë koka,

profeti, mësuesi i gënjeshtrës ‑ është bishti.

15 Udhëheqësit e këtij populli i ngashnjyen

e të udhëhequrit u borën.

16 Prandaj Zoti s’do t’u gëzohet të rinjve të tij,

s’do të ketë mëshirë për jetimët e të vejat e tij,

sepse të gjithë janë të patenzonë e të këqij,

dhe çdo gojë flet vetëm marrëzi.

17 Flakë si zjarri është ndezur paudhësia,

përpin hallugë e përpin ferra,

ndezi zjarrin në pyll të dendur,

shtylla‑shtylla tymi çohet!

18 Digjet vendi nga zemërimi i Zotit të Ushtrive,

u bë populli shujta e zjarrit:

s’kursen askush as vëllain e vet!

19 Përlan djathtas e është i uritur,

përpin majtas e nuk ngihet,

mishin e të afërmit e përlan secili:

20 Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun,

të dy së bashku e hanë Judën!

E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit,

por dora e tij gjithnjë mbeti e shtrirë!

Isaia: 10. Kundër një mbreti të Asirisë

10

1 Mjerë ata që nxjerrin ligje të paudha,

e, kur i përpunojnë, shkruajnë ligje të padrejta,

për t’i shtypur në gjyq skamnorët,

2 për t’ua shkelur të drejtën të varfërve të popullit tim,

që vejushat të jenë preja e tyre,

e jetimët t’i plaçkitin.

3 Çka do të bëni në ditë të pasisë

kur prej së largu të vijë mjerimi?

Te kush do të kërkoni ndihmë?

Ku do ta lini thesarin tuaj?

4 Sepse do të përuleni ndër të humbur

o do të bini ndër të vrarë.

E megjithëkëtë nuk u fashit zemërimi i tij,

por gjithnjë dora e tij mbeti e shtrirë!

Kundër një mbreti të Asirisë

5 Mjerë Asuri, thupra e zemërimit tim,

shkop në dorën time, zemërimi im!

6 Unë e dërgoj kundër një kombi të pazot,

e dërgoj kundër një populli,

me të cilin jam zemëruar

që ta plaçkitë e ta bëjë pre,

ta shkelë si baltën në rrugë.

7 Porse ai s’ka menduar kështu,

mendja e tij kështu s’e ka çmuar:

ka menduar veç të shfarosë

e të shuajë kombe jo të pakëta.

8 Madje thotë:

“Pse a s’janë të gjithë princat e mi mbretër?

9 Pse a s’është Kalnoja porsi Karkemisi?

A s’është Emati porsi Arfadi?

Si Samaria, vallë, a s’është Damasku?

10 Siç i pushtoi dora ime mbretëritë idhujtare,

idhujt e të cilave janë më të shumtë

se në Jerusalem e në Samari,

11 vallë, siç ia bëra Samarisë e idhujve të saj,

a s’do t’ia bëj ashtu edhe Jerusalemit e truporeve të tij?”

12 E kur Zoti të ketë kryer tërë veprën e vet mbi malin Sion e në Jerusalem, do ta ndëshkojë frytin e syve krenarë të zemrës së mbretit të asirianëve e të krenarisë madhështore të syve të tij. 13 Sepse tha:

“Veprova me fuqi të krahut tim

e me urtësinë e mendjes sime, sepse jam i mençur;

i zhduka kufijtë e popujve,

pre i bëra thesaret e tyre,

si trim që jam për tokë i rrëzova

ata që rrinin në frone të larta.

14 Dora ime porsi çerdhe i pushtoi

pasuritë e popujve,

siç mblidhen vezët e lëna

e mblodha botën mbarë

dhe s’u gjet kush të fluturojë me krahë

as të hapë sqepin e të cicërojë!”

15 Vallë, a ka si t’i lavdërohet sakica

atij që me të pret?!

A mund t’i krenohet sharra

atij që me të sharron?!

Thua se thupra e sjell atë që e vërtit

ose shkopi e çon atë që dru nuk është!

16 Për këtë arsye Zotëruesi, Zoti i Ushtrive,

do të çojë ligësinë në ushtrinë e zgjedhur të tij,

e nën nderin e tij një zjarri

që do të djegë porsi djeg zjarri.

17 Drita e Izraelit do të jetë porsi zjarri

Shenjti i tij porsi flaka,

do të ndizet e do t’i përpijë

ferra e hallugë në një ditë të vetme.

18 Madhërinë e pyllit e të kopshtit të tij

do ta asgjëssojë me shpirt e trup

e do të bëhet si i sëmuri që shkrihet,

19 çka do të mbesë nga lëndët e pyllit

aq pak do të jetë për nga numri

sa që do të mund t’i regjistrojë fare lehtë edhe një fëmijë!

Teprica e vogël

20 E do të ndodhë atë ditë:

Teprica e Izraelit

dhe ata që do të shpëtojnë

prej shtëpisë së Jakobit,

s’do të mbështeten më mbi ata që i godasin,

por do të mbështeten në Zotin,

me besnikëri në Shenjtin e Izraelit.

21 Te Hyji i gjithëpushtetshëm

do të kthehet Teprica,

Teprica, them, e Jakobit!

Paralajmërimi i shfarosjes.

22 Vërtet, o Izrael,

edhe në qoftë populli yt si rëra e detit,

prej tij do të kthehet vetëm Teprica.

Është vendosur shfarosja,

do të shkojë në vend drejtësia:

23 Urdhrin e shfarosjes

Zoti, Hyji i gjithëpushtetshëm,

në vend do ta çojë mu në zemrën e mbarë vendit!

Shpresa në Hyjin

24 Prandaj kështu thotë Zoti, Hyji i Ushtrive:

“Populli im, që banon në Sion,

frikë mos ki prej Asurit.

Njëmend me thupër do të godasë,

shkopin do ta ngrejë mbi ty porsi Egjipti,

25 sepse edhe pak, për së shpejti,

zemërimi im dhe zemërimi im do të ndizet flakë

për shfarosjen e tyre!”

26 Mbi të Zoti i Ushtrive

me frushkull do të godasë

siç goditi mbi Madianin, në Qetën e Orebit,

shkopin do ta lartësojë mbi det,

siç bëri në Egjipt!

27 Atë ditë do të ndodhë:

nga krahu yt do të hiqet barra e tij,

nga qafa jote do të hiqet zgjedha e tij!

Pushtuesi

Nga Remoni po vjen shkatërrimtari!

28 Ia behi në Ajat, kalon nëpër Magron,

në Makmas po i shkarkon plaçkat,

29 me vrap po e kalojnë vaun;

në Gebë po e kalojnë natën!

Dridhet Rama,

Gabaa e Saulit merr arratinë!

30 Gërthit me sa zë të kesh, Batgalim!

Dëgjoje, Laisë!

Përgjigju, Anatot!

31 Medemena mori arratinë.

Ikën banorët e Gabimit!

32 Që sot do të ndalen në Nobe:

me grusht do t’i kërcënohet

malit të bijës së Sionit,

kodrës së Jerusalemit!

33 Ja, Zotëruesi, Zoti i Ushtrive,

me tërbim po i shkurton gemat,

majat më të lartat u prenë,

u shkurtuan majat,

34 sëpata po i pret pyjet e dendura,

rrafsh po bie Libani me gjithë madhërinë e vet!

Isaia: 11. Pasardhësi i Davidit

11

1 Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut,

një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij.

2 Në të do të pushojë shpirti i Zotit,

shpirti i urtisë e i dijes,

shpirti i këshillave dhe i forcës,

shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit.

3 Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.

S’do të gjykojë sipas pamjes së syve

as s’do të vendosë sipas thashethemeve,

4 por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët,

do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit,

me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin

e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.

5 Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia,

me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.

6 Ujku do të banojë me qengjin,

përbri kecit do të shtrihet leopardi,

viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin,

fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë.

7 Lopa e arusha bashkë do të kullotin,

këlyshët e tyre së bashku do të rrinë,

luani kashtë do të hajë si kau.

8 Foshnja do të luajë

mbi vrimën e shlligës,

në strofullin e kapastrecit

fëmija dorën do ta futë.

9 S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush

në mbarë malin tim të shenjtë,

sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit,

porsi deti që mbushet me ujë.

Kthimi i të dëbuarve

10 Atë ditë rrënja e Jeseut

do të ngallisë si flamur për kombe,

vetë popujt atë do ta kërkojnë,

selia e saj do të jetë e lavdishme.

11 E atë ditë:

përsëri Zoti do ta shtrijë dorën e vet

për ta bërë pronë të veten Tepricën e popullit të vet

që do të shpëtojë nga Asiria e Egjipti,

nga Patrosi e nga Etiopia,

nga Elami e nga Senaari,

nga Emati e nga ishujt e detit.

12 Do ta ngrejë shenjën për kombe,

do t’i bashkojë të shpërngulurit e Izraelit,

nga të katër anët e botës do t’i bashkojë

të shpërndarit e Judës.

13 Do të pushojë smira e Efraimit,

do të shfarosen armiqtë e Judës,

Efraimi më s’do t’ia ketë smirë Judës

as Juda s’do të luftojë më kundër Efraimit.

14 Filistenjve në perëndim do t’u bien në qafë,

bijtë e lindjes së bashku pre do t’i bëjnë;

do të çojnë dorën kundër Edomit e Moabit,

do t’u nënshtrohen bijtë e Amonit.

15 Do ta thajë Zoti gjirin e detit të Egjiptit,

lart do ta ngrejë dorën mbi Lumin,

e me fuqinë e frymës së vet do ta godasë,

do ta ndajë në shtatë përrenj

sa që mbathur do të mund të kalohet matanë:

16 do të bëhet udha për Tepricën e popullit të tij,

që do të shpëtojë prej Asirisë

siç u gjet rruga për izraelitët

kur patën dalë prej dheut të Egjiptit.

Isaia: 12. Psalmi

12

1 Atë ditë thuaj:

”Të falënderoj, o Zot,

se, megjithëse ishe zemëruar kundër meje,

u qetësua hidhërimi yt

e ti më ngushëllove.

2 Ja, Hyji Shëlbuesi im,

kam besim e nuk kam frikë,

sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,

Ai është shpëtimi im.”

3 Me galdim do të merrni ujë

nga burimet e shëlbimit.

4 Edhe thoni atë ditë:

“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

shpallini ndër popuj veprat e tij,

kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

5 Këndojini Zotit, sepse krijoi mrekulli,

le ta marrë vesh bota mbarë!

6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,

sepse i madhërishëm është në mesin tuaj

Shenjti i Izraelit!”

Isaia: 13. Kundër Babilonisë

13

1 Profecia mbi Babiloninë që e pa Isaia, biri i Amosit.

2 Mbi një mal të shogët lartësojeni flamurin,

lëshoni kushtrimin,

bëni me dorë

që të hyjnë nëpër Dyer të bujarëve.

3 Unë i urdhërova të shenjtëruarit e mi,

si vegël të hidhërimit tim i thirra trimat e mi,

ata që i gëzohen madhërisë sime.

4 Dëgjoni! Një brohoritje në male

porsi zhurma e një populli të shumtë!

Dëgjoni! Një poterë mbretërish

të popujve të tubuar!

Zoti i Ushtrive po bën parakalimin

e ushtrisë që niset në luftë!

5 Vijnë nga një vend i largët,

nga skaji i qiellit

‑ Zoti dhe veglat e zemërimit të tij

për ta rroposur botën mbarë!

6 Lëshoni gjëmë mjerimi,

sepse afër është Dita e Zotit,

si shkretëtim po vjen i Gjithëpushtetshmi!

7 Këndej po ngathen të gjitha duart,

çdo zemër njeriu po dridhet!

8 Të gjithë po i pushton tmerri!

Të dridhurat e dhimbjet i pushtuan,

porsi gruan në dhimbjet e të lindurit!

Me tmerr shikojnë njëri‑tjetrin,

fytyra e tyre gacë e skuqur!

9 Ja, po vjen dita e Zotit

e pamëshirë e plot zemërim,

plot hidhërim edhe zemërim

për ta kthyer vendin në shkretëtirë,

për t’i zhdukur prej tij mëkatarët.

10 Të qiellit yjet e yjësitë e tij

s’do ta lëshojnë dritën e vet,

posa të lindë do të erret dielli,

as hëna s’do të bëjë dritë më!

11 Për shkak të të këqijave do të ndëshkoj rruzullin,

e mëkatarët për fajësinë e tyre,

madhështorëve do t’ua zhdukë krenarinë,

në pluhur do t’i zhgërryej të dhunshmit!

12 Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i rëndomtë,

më i rrallë se ari i kulluar!

13 Edhe qiellin do ta tund,

edhe toka do të luajë vendit

prej zemërimit të Zotit të Ushtrive

n’ditë të shpërthimit të furisë së tij.

14 E do të ndodhë si me shutën e përndjekur,

si me delet të mbetura pa bari

në popull të vet gjithkush do të kthehet,

në vend të vet do të ikë secili.

15 Kush të zihet, vrik do të theret,

kush të kapet, me shpatë do të pritet!

16 E përpara syve të tyre

për tokë foshnjat do t’ua plandosin,

shtëpitë e tyre do t’i bëjnë pre,

gratë e tyre do t’i dhunojnë!

17 Kundër tyre medët do të ngre,

që s’çmojnë sermin e urrejnë arin,

18 me hark të rinjtë do t’ua vrasin,

s’do të kenë mëshirë as për fryt të barkut.

19 Babiloni, ajka e mbretërive,

i kaldenjve lulja e krenarisë,

si Sodoma e Gomorra do të bëhet

kur i Lumi i rroposi!

20 Shkret do të mbesë ai përgjithmonë,

brez pas brezi i pabanuar,

në të arabët çadër s’do të ngulin,

në të barinjtë nuk do të mrizojnë.

21 Egërsirat aty do të pushojnë,

me kukuvajka shtëpitë do t’u mbushen,

strucat në të do të gjejnë strehim,

satirët në të do të kërcejnë,

22 në pallate të tyre do të ulërinë hienat,

e çakajtë në tempujt e kënaqësisë...

S’do të vonojë të vijë koha e tij,

nuk do të zgjasin ditët e tij!

Isaia: 14. Kthimi nga shpërngulja

14

1 Për Jakobin Zoti dhimbje do të ketë,

do ta zgjedhë përsëri Izraelin,

prapë në tokë të vet do t’i vendosë.

Edhe të huajt me ta do të bashkohen,

do t’i mbështeten shtëpisë së Jakobit.

2 Popujt e tjerë këta do t’i marrin

e do t’i çojnë në atdheun e tyre.

Ata shtëpia e Izraelit

në tokë të Zotit do t’i bëjë

shërbëtorë e shërbëtore të veta.

Ata që i patën robëruar,

do të bëhen robërit e tyre,

nën sundim të vet do t’i vënë

ata që i patën pushtuar.

Vdekja e mbretit të Babilonisë

3 Ditën kur Zoti të ketë çliruar nga vuajtja jote, e vështira, nga skllavëria e rëndë, në të cilën t’u desh të shërbesh më parë, 4 këndoje këtë këngë përqeshëse kundër mbretit të Babilonit. Thuaj:

“Po si kështu mbaroi tirani?

E si fund kështu mori shtypja?!”

5 Zoti ua theu shkopin tiranëve,

pushtuesve ua copëtoi lozën,

6 që furishëm i godiste popujt,

që i plagoste pa pushim,

që i pushtonte me tërbim kombet,

i përndiqte pa kurrfarë mëshire!

7 Pushoi i qetë dikur mbarë dheu!

Shpërthen i gëzueshëm në brohoritje!

8 Mbi ty gëzohen deri bredhat

edhe cedrat e Libanit:

“Që kur vdiqe më kush s’erdhi

për të na shkurtuar!”

9 Deri Nëntoka u shqetësua

për lajmin e arritjes sate.

Në takim me ty ajo i zgjon hijet,

të gjithë zotëruesit e dikurshëm të dheut,

i bën të çohen nga fronet e veta

të gjithë mbretërit e kombësive.

10 Të gjithë të përgjigjin edhe të thonë:

“Sharrove edhe ti si ne,

i ngjashëm me ne u bëre!”

11 Madhërisë sate iu desh të zbresë në Nëndhe,

tingëllima e harpave të tua,

për shtrojë ti do të kesh kalbësirën,

mbloja jote do të jenë krimbat!

12 Po si munde të biesh nga qielli,

o Dritësjellës, biri i Agimit?

U shtrove për dhe, ti që shtroje

për dhe popujt anembanë!

13 Ti që të thoshte mendja jote:

“Në qiell do të ngrihem,

lart mbi yje të Perëndisë

do të ngre stolin,

do të rri në malin e tubimit,

në skaj të veriut.

14 Do të ngjitem përsipër resh,

do të jem porsi i Larti Zot!”

15 Dhe ja zbrite në Nëntokë,

u plandose në fund të Humnerës!

16 Kush të sheh, sytë t’i ngul

e të vëren me plot kujdes:

“Vallë, a është thua ky ai burrë,

që të trandej tokën bënte,

që i tundi mbretëritë,

17 që shkretëtirë e bëri botën,

që qytetet i rrafshoi,

që të lidhurve s’u hapi burgun?

18 Mbretërit e të gjitha kombeve,

të gjithë me nder pushojnë në varr të vet,

19 kurse ti u flake nga varri

si dështaku i urryshëm,

i mbështjellë me të vrarë nga shpata,

të hedhur mbi pllakat e varrit

si cofëtina e shkelmuar!

20 S’do të varrosesh si të tjerët në varr,

sepse vendin tënd shkretove,

popullin tënd ti vetë e vrave:

dhe askurrë më s’do të përmendet

fara e njerëzve që bëjnë të keqen.

21 Bëni gati masakrën e fëmijëve

për të padrejtat e prindërve të tyre,

që të mos ngrihen më të pushtojnë tokën

e ta mbulojnë faqen e dheut.”

22 “Unë do të ngrihem kundër tyre

‑ flet Zoti i gjithëpushtetshëm ‑

Babilonisë do t’ia shlyej emrin,

s’do t’i lë as shenjë as dukë,

farë as fis ‑ është fjala e Zotit;

23 pronë iriqësh do ta bëj,

në kënetë uji të amullt do ta shndërroj,

do ta fshij me fshesë shkatërruese, ”

‑ flet Zoti i gjithëpushtetshëm.

Kundër Asirit

24 Bëri benë Zoti i Ushtrive:

“Për të vërtetë,

siç mendova ashtu do të ndodhë,

siç pleqërova ashtu do të ndodhë:

25 Në tokën time do ta shfaros Asirin,

do ta vë nën këmbë në bjeshkët e mia.

Zgjedha e tij prej tyre do të hiqet,

barra e tij do të bjerë prej krahut të tyre.”

26 Ky është vendimi që u mor kundër mbarë tokës,

kjo është dora e shtrirë kundër të gjitha kombeve.

27 Sepse kështu Zoti i Ushtrive vendosi;

kush mund ta bëjë të kotë?

Dora e tij është e shtrirë:

kush mund ta largojë?

Kundër filistinëve

28 Atë vit kur vdiq mbreti Akaz u bë kjo profeci:

29 “Mos u gëzo ti, o Filisteja mbarë,

pse u thye shkopi që të rrihte,

sepse nga rrënja e shlligës kapastreci do të dalë

e pjella e tij do të jetë dragoi fluturues!

30 Do të kullotin të parëlindurit e skamnorëve,

të vobektit do të pushojnë në qetësi,

do të bëj të vdesë urie skota jote

e çka të mbetet prej teje do ta vras.

31 Vajto, o derë! Lësho gjëmë, o qytet!

Dridhu, Filisteja mbarë!

Sepse nga veriu po vjen tymi

dhe askush nuk ikën nga çetat e luftëtarëve të tij!”

32 E çka do t’u përgjigjet kasnecëve të popujve?

“Zoti e ka themeluar Sionin,

në të do të strehohen skamnorët e popullit të tij.”

Isaia: 15. Vajtim mbi Moabin

15

1 Profeci mbi Moabin.

Natën u rrënua Armoabi, u shua;

natën u rrënua Cirmoabi, u shua.

2 Populli i Dibonit u ngjit në lartësi për të qarë;

në Nabo e në Medabë Moabi vajtoi;

çdo kokë qe qethur e rruar çdo mjekërr!

3 Në sheshe vishen me thasë,

në pullaze e në tregje vajtojnë

të gjithë bëjnë gjëmë, shkrihen në vaj!

4 Heseboni e Eleala bëjnë gjëmë,

vajtimi i tyre ndihet deri në Jasë.

Të madhe dënesin trimat e Moabit,

u rënkon shpirti për vetvete.

5 Zemra ime gërthet për Moabin,

mbrojtësit u arrijnë deri në Segor,

deri në Eglatselisi;

brinjës së Luitit ngjiten e vajtojnë

në udhë të Oronaimit gjëmë të mjerueshme lëshojnë.

6 Në Nemrim uji do të shterë,

u tha bari, s’lulëzoi pinjolli,

mbarë gjelbërimi u vyshk, u shua!

7 Këndej edhe i mbledhin çaklat e pasuritë e veta

e i kalojnë përtej përroit të Shelgjeve.

8 Po, u hap britma në viset e Moabit,

gjëma e tij deri në Eglaim,

ulërima e tij deri në Beerelim!

9 Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak!

Edhe një të keqe do t’ia shtoj Dimonit:

një luan për të ikurit e Moabit

e për ata që gjallë do të mbesin në vend.

Isaia: 16. Moabët strehë kërkojnë në Judë

16

1 Dërgojani qengjin sunduesit të vendit,

nga Qeta e shkretëtirës

në malin e bijës së Sionit!

2 Porsi shpendi që merr arratinë,

porsi zogjtë të ikur nga çerdhja,

do të jenë bijat e Moabit

në vatë e Arnonit.

3 Jep këshillë,

merr vendim!

Në mesditë bëje si natë hijen tënde,

fshehi të ikurit,

mos i tradhto të arratisurit!

4 Të dëbuarit e Moabit

bëj strehim te ti të gjejnë!

Ji ti për ta strehim

përballë shfarosësit!

Sepse fund mori skllavëruesi,

shpartallimi mori fund,

nga vendi ndrydhësi u zhduk!

5 I fortë në qetësi po ngrihet froni,

mbi të do të rrijë besnik,

në Tendën e Davidit,

një gjykatës i zellshëm drejtësie

i gatshëm për të dhënë të drejtën.

Vajtim mbi Moabin

6 Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit

‑ për së tepërmi është krenar ‑

për krenarinë, madhështinë e mospërfilljen e tij,

për lavdërimin e tij të padrejtë!

7 Këndej Moabi do të qajë Moabin,

të gjithë së bashku do të vajtojnë,

për bukërrushe të Cirharesetit

të goditur do të vajtojnë.

8 Pse u shkretuan fushat e Hesebonit,

u thanë vreshtat e Sabamait,

rrushi i të cilave i bori

zotëruesit e paganëve.

Hardhitë arrinin deri në Jazer,

shermendet në shkretëtirë mbërrinë:

pinjollat u arrinin

deri në det.

9 Këndej vajtoj me vajtorët e Jazerit

mbi vreshtat e Sabamait,

do të deh me lotët e mi,

Hesebon e Eleale,

se mbi vjeljen tënde e mbi të korra

u bë gjëma.

10 U zhduk gëzimi e galdimi në kopshte,

askush s’gëzon as s’brohorit ndër vreshta.

Verën në shtrydhës nuk e shtrydh

kush të shtrydhë e kish’ zakon:

brohoritja erdhi e u hesht!

11 Këndej përmbrendëset mua më dridhen

për Moabin porsi cetra,

zemra më dridhet për Cirharesetin.

12 Kot Moabi do të paraqitet,

do të mundohet në vende të larta,

në shenjtërore do të hyjë të lutet,

por pa dobi!

Fjala e Zotit lidhur me Moabin

13 Kjo është fjala që Zoti e tha dikur mbi Moabin. 14 Por tani Zoti thotë: “Brenda tre vjetëve, vite mëditësi, do të zhduket lavdia e Moabit me mbarë popullin e shumtë; do të mbesë një tepricë e vogël, e paktë, pothuajse asgjë.”

Isaia: 17. Kundër Damaskut e Izraelit

17

1 Profeci mbi Damaskun.

“Ja, Damasku më qytet s’do të jetë,

por do të jetë një gumbull rrënojash.

2 Katundet e tij, përgjithmonë të lëna,

do të mbesin për grigja,

aty do të mrizojnë

e s’do të ketë kush t’i trazojë.

3 Efraimi do ta humbë qytezën,

e Damasku mbretërinë.

E do të ndodhë me tepricën e Sirisë

siç do të ndodhë me lavdinë e izraelitëve

‑ profeci e Zotit të ushtrive.

4 Atë ditë: do të zvogëlohet lavdia e Jakobit.

dhjami i trupit do t’i shkrihet.

5 Do të ndodhë si atëherë kur korrësi

me një dorë i mbledh kërcejtë

e me tjetrën i korr kallëzat,

o si kur mblidhen kallinjtë

në luginën e Rafaimit.

6 Do të mbesë në të si mbetet ndonjë vile

o ndonjë kokërr kur shkunden ullinjtë:

dy a tre ullinj në majë të gemit,

ose katër, a pesë kokrra në majë të pemës frutore”,

‑ thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

Mbarimi i idhujtarisë

7 Atë ditë njeriu do të drejtohet kah Krijuesi i vet e sytë e tij do ta shikojnë Shenjtin e Izraelit,

8 nuk do t’i shikojë më lterët që i punuan duart e tij, që i ndreqën gishtat e tij, s’do t’i shikojnë banirët e shenjtë e lterët e kemimit.

Kundër kopshteve të Adonisit

9 Atë ditë do të braktisen fortesat e tua si qytezat që i lëshuan hevenjtë e amorrenjtë para fytyrës së bijve të Izraelit,

e do të bëhet një shkretim i madh,

10 sepse e harrove Hyjin Shëlbuesin tënd,

e nuk e kujtove qetën e shpëtimit tënd:

këndej edhe mbjell pemë të ëmbla

edhe vë pinjollë të huaj.

11 Ditën e mbjelljes ti edhe i thur,

në mëngjes fara jote lulëzon,

por kotshkon korrja në ditë të vështirë,

ditën e sëmundjes së pashërueshme.

Vërshim popujsh

12 Eu! Poterë popujsh me shumicë,

ushtojnë porsi ushtima e detit,

zhurmë popujsh që bëjnë potere,

porsi zhurma e ujërave të mëdha!

13 Gjëmojnë popujt porsi ujërat kur vërshojnë,

por me kërcënimin e Tij në ikje vihen,

porsi bykun i humbet era maleve,

porsi pluhurin në vorbull të erës së stuhisë!

14 Në mbrëmje shkaktojnë tmerrim,

para agimit, ja, nuk janë!

I tillë është fati i rrëmbyesve tanë,

fati i atyre që na plaçkitën.

Isaia: 18. Kundër Etiopisë

18

1 Vaj për ty, o vend flatrash shurdhuese,

përtej lumenjsh të Etiopisë,

2 që i nis n’për det kasnecët

nëpër ujë me lundra zunkthi:

“Nisuni, kasnecë të shpejtë,

drejt popullit shtatlartë e me ngjyrë,

drejt popullit të tmerrshëm,

pranë e larg,

drejt një populli të fortë e luftëtar,

lumenjtë e të cilit tokën e çajnë!”

3 Të gjithë ju, banorët e botës,

të gjithë ju që në tokë banoni,

kur lartësuar të jetë në male flamuri, shikojeni,

kur boria të ketë rënë, dëgjojeni!

4 Sepse kështu Zoti më ka thënë:

“Nga banesa ime do të vrojtoj i qetë

porsi vapa e pishës së diellit,

porsi reja e vesës në djegagur të korrjes.”

5 Sepse, si lulëzimi të jetë kryer i hardhisë,

edhe lulja rrush i pjekur të jetë bërë,

para se të duhet të vilet,

me kizë do t’i presë shermendet,

do t’i presë e do t’i flakë pinjollët.

6 Të gjithë së bashku atëherë do t’u lihen

shpendëve të malit e egërsirave;

grabitqarët në të do të verojnë,

kafshët e tokës në të do të dimërojnë.

7 Në atë kohë, Zotit të Ushtrive do t’i sillen dhurata prej një populli shtatlartë e me ngjyrë, prej një populli të tmerrshëm tani e gjithmonë, prej një kombi të fortë e luftëtar, lumenjtë e të cilit tokën e çajnë, në vendin e Emrit të Zotit të Ushtrive, në malin Sion.

Isaia: 19. Kundër Egjiptit

19

1 Profeci mbi Egjiptin.

Ja, Zoti kalëron mbi re të shpejtë,

në Egjipt po hyn!

Para Tij rroposen idhujt e Egjiptit,

në kraharor zemra u fiket egjiptianëve!

2 “Do t’i nxis egjiptianët kundër egjiptianëve,

do të luftojë vëllai me vëllanë

miku me mikun e vet,

qyteti kundër qytetit,

mbretëria kundër mbretërisë.

3 Mendësh do të merren egjiptianët,

kotdo t’ua çoj synimet e tyre.

Idhuj e shortarë, do të pyesin,

thirrës shpirtrash e magjistarë.

4 Egjiptianët do t’i lëshoj në dorë

të një zotërie të pashpirt,

do t’i sundojë një mbret i ashpër, ”

thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.

5 Do të shterë uji i detit,

do të shterë e do të thahet lumi,

6 kanalet do të qelbësohen,

përrenjtë e Egjiptit do të shteren,

pa ujë do të mbesin,

do të vyshket kallam e zunkth,

7 shogët do të mbesin brigjet e Nilit,

bima e Nilit mbarë do të thahet,

do të thahet e nuk do të jetë.

8 Do të trishtohen peshkatarët,

do të ankohen të gjithë ata

që në lumë hedhin grepin,

mjerimi do t’i mbulojë

ata që në ujë hedhin rrjetat.

9 Do të turpërohen punuesit e lirit,

lënurësit e vegjëtarët e pëlhurës.

10 Në mjerim do të bien mjeshtrat e tij,

të gjithë mëditësit do të sharrojnë.

11 Oh sa të marrë princat e Tanesit!

Të faraonit këshilltarët më të urtët,

i dhanë këshilla krejtësisht të marra!

Si mund t’i thoni faraonit:

“Jam bir i të urtëve,

nxënës mbretërish të lashtë?”

12 Ku janë tani dijetarët e tu?

Le të lajmërojnë e le të tregojnë

ç’synim ka Zoti i Ushtrive

të ndërmarrë kundër Egjiptit?

13 Janë bërë të marrë krerët e Tanesit,

janë në gabim krerët e Memfisit,

e bënë ta lërë rrugën Egjipti,

Gurët e këndit të fiseve të tij.

14 Zoti trutë ua qet të bullarit

bëjnë të gabojë Egjipti në çdo veprim,

si i dehuri që zhgërryhet në të vjellat e veta.

15 Asnjë gjë s’do t’i vlejë Egjiptit

çfarë do të bëjë kokë e bisht,

palmë e kallam.

Kthimi i Egjiptit

16 Atë ditë egjiptianët do të bëhen si gra, do të dridhen e do të tremben nga sjellja e dorës së Zotit të Ushtrive, kur Ai ta çojë dorën mbi ta. 17 Toka e Judës do të jetë tmerr për Egjiptin. Kushdo që ta kujtojë, do të pushtohet nga frika për shkak të synimit të Zotit të Ushtrive që ka vendosur ta kryejë mbi të.

18 Atë ditë do të jenë pesë qytete në Egjipt që do të flasin gjuhën e Kanaanit e do të jenë të lidhur me përbetim me Zotin e Ushtrive. Njëri do të quhet Qyteti i Diellit.

19 Atë ditë do të jetë në mes të dheut të Egjiptit lteri i Zotit e në skajin e kufirit të tij një gurngul në nder të Zotit. 20 Do të jetë një shenjë e një dëshmi në tokën e Egjiptit në nder të Zotit të gjithëpushtetshëm. Kur, përballë kundërshtarëve, do ta thërrasin në ndihmë Zotin, Ai do t’u dërgojë shpëtimtarin dhe mbrojtësin që do t’i shpëtojë. 21 Zoti do t’u dëftohet egjiptianëve edhe egjiptianët do ta pranojnë atë ditë Zotin. Do ta adhurojnë me fli e me dhurata, do t’i kushtohen Zotit e do t’i kryejnë kushtet. 22 Zoti do ta godasë me shuplakë të rënda Egjiptin, por edhe do ta shërojë; ata do të kthehen kah Zoti e Ai do të ketë mëshirë për ta e do t’i shërojë.

23 Atë ditë do të jetë një rrugë nga Egjipti në Asiri; asiriani do të shkojë në Egjipt e egjiptiani në Asiri. Egjiptianët do t’i shërbejnë Zotit bashkë me asirianët.

24 Atë ditë Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin e me Asirinë. I tillë do të jetë në mesin e tokës bekimi, 25 që do ta japë Zoti i Ushtrive e do të thotë: “Qoftë bekuar populli im Egjipti, edhe vepra e duarve të mia, Asiri, dhe trashëgimi im, Izraeli.”

Isaia: 20. Lajmi mbi pushtimin e Azotit

20

1 Atë vit, kur Tartani, i dërguar nga Sargoni, mbreti i asirianëve, erdhi në Azot, e sulmoi dhe e pushtoi Azotin, 2 po në atë kohë Zoti foli me anë të Isaisë, birit të Amosit. Ai i tha: “Shko, hiqe grathoren nga ijët e tua dhe hiqi sandalet nga këmbët e tua.” Ai bëri ashtu dhe ecte zhveshur e zbathur. 3 Zoti tha atëherë: “Sikurse shërbëtori im Isaia eci për tre vjet lakuriq e zbathur, si shenjë e parakallëzim për Egjiptin e për Etiopinë, 4 po kështu mbreti i asirianëve do t’i çojë robërit nga Egjipti e të humburit nga Etiopia, të rinj e të vjetër, të zhveshur e të zbathur, me prapanicë jashtë për turpin e Egjiptit. 5 Atëherë do të ligështohen e do t’i mbulojë turpi për shkak të Etiopisë, shpresës së tyre e për shkak të Egjiptit, nderit të tyre.

6 Dhe banorët e këtij bregdeti do të thonë atë ditë: ‘Ja, kjo ishte shpresa jonë, ku u strehuam për ndihmë që të shpëtonim nga mbreti i Asirisë! E tani si do të gjejmë shpëtim?’“

Isaia: 21. Pushtimi i Babilonisë

21

1 Profeci mbi shkretëtirën e detit.

Porsi vorbullat që përplasen në jug,

vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

2 Një vegim i hidhur mua më qe dëftuar:

rrëmbyesi rrëmben,

shkatërruesi shkatërron!

“Sulu, Elam,

rretho, Medi!

Unë bëj të pushojë çdo gjëmim!”

3 Këndej ijët e mia më dridhen,

më pushtuan dhimbjet si dhimbjet e lindëses;

jam i tronditur për çka dëgjoj,

i tmerruar për çka shikoj.

4 Zemra më lëshon,

tmerri më pushton:

mugu që e dëshiroja

erdhi e m’u bë tmerr.

5 Shtrojnë tryezën,

shtrojnë ciloren,

hanë e pinë.

“Ngrihuni, o krerë,

lyeni shqytin!”

6 Sepse Zoti kështu më tha:

“Shko, vëre vrojtuesin,

të lajmërojë gjithçka të shohë!

7 Nëse sheh karrocë, koçi me dy kuaj,

njerëz hipur në gomarë,

njerëz hipur në gamile,

le të vëzhgojë me kujdes,

me kujdesin më të madh!”

8 Atëherë vrojtuesi thirri:

“Në vrojtore, Zotëri,

rri vazhdimisht, gjithë ditën;

në rojën time qëndroj,

qëndroj vazhdimisht gjithë natën.

9 Ja, këtu po vjen një mizëri njerëzish,

koçi dy kuajsh!”

Ai vazhdoi e tha:

“Ra, ra Babiloni

dhe të gjitha shtatoret e hyjnive të tij copë e grimë u bënë për tokë!”

10 Shirja ime, biri i lëmit tim,

çka dëgjova nga Zoti i Ushtrive,

Hyji i Izraelit,

jua zbulova!

Profeci mbi Dumën

11 Profeci mbi Dumën.

Nga Seiri dikush më thërret:

“Rojtar, ç’kohë nate është?

Rojtar, ç’kohë nate është?”

12 Rojtari përgjigjet:

“Po vjen mëngjesi, por edhe nata;

nëse doni të pyetni, pyetni,

kthehuni, ejani!”

Profeci mbi arabët

13 Profeci mbi shkretëtirën.

Në pyll, në shkretëtirë do ta kaloni natën,

karvanët e Dedanit!

14 Silluni ujë të eturve,

ju që banoni në tokën Tema,

ndesheni me bukë të arratisurin!

15 Sepse ata ikin para shpatave,

para shpatës së zhveshur,

para harkut të ngrehur,

para luftës së madhe.

16 Sepse kështu më thotë Zoti: “Edhe një vit, si viti i mëditësit, dhe mbarë lavdia e Cedarit do të marrë fund. 17 Numri që do të mbesë nga harqet e trimave të bijve të Cedarit do të jetë shumë i vogël. Sepse kështu ka thënë Zoti, Hyji i Izraelit.”

Isaia: 22. Kundër Jerusalemit

22

1 Profeci mbi Luginën e Vegimit.

Po ç’ke

që u ngjite i tëri në tarraca,

2 qytet plot zhurmë, plot poterë,

qytet plot gëzim?

Të vrarët e tu shpata s’i preu,

s’vdiqën në luftë.

3 Të gjithë prijësit e tu ikën,

robër u zunë së bashku harkun pa e shkrehur

të gjithë, si qenë së bashku,

robër u zunë,

ose larg ikën.

4 Këndej edhe thashë:

“Largohuni prej meje,

idhshëm do të qaj;

mos u mundoni të më ngushëlloni,

për shkatërrimin e bijës së popullit tim!”

5 Sepse kjo është dita e turpit,

e shkeljes dhe e vajtimit

e Zotit, Hyjit të Ushtrive,

në Luginën e Vegimit,

rrënim muresh, kushtrim maleve.

6 Elami kukurrën mori,

u rreshtua në radhë të kalorësve

edhe Ciri e nxori shqytin.

7 Më të zgjedhurat luginat e tua

plot janë mbushur me karroca lufte,

në radhë kalorësit janë vënë kundër derës

8 e iu hoq Judës mburoja.

Ti shikoje atë ditë

armatoren e Shtëpisë së Pyllit.

9 Patë sa të shumta ishin

vrimat në muret e Qytetit të Davidit,

i mblodhët ujërat e peshkores së poshtme;

10 i numëruat shtëpitë e Jerusalemit,

i rrënuat për të forcuar muret,

11 në mes dy muresh punuat ujëmbajtësin,

për ujët e peshkores së vjetër,

por s’e shikuat Atë që këto i bëri

as s’e patë Atë që këto i sendërtoi kaherë!

12 Atë ditë Zoti, Hyji i Ushtrive,

ju ftoi të qani e të vajtoni,

të qethni kokën, të ngjeshni grathoren.

13 Dhe ja, gëzim edhe hare,

theren qe e priten dele,

hahet mish e pihet verë:

“Të hamë e të pimë,

se nesër do të vdesim!”

14 Prej Zotit, Hyjit të Ushtrive,

u qe zbuluar veshëve të mi:

“Assesi ky mëkat s’ju falet

për pa vdekur!”,

thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.

Kundër Sobnës

15Kështu thotë Zoti, Hyji i Ushtrive:

“Shko, takoje oborrtarin,

Sobnën, kujdestarin e pallatit:

16 ‘Ç’ke ti këtu? E kush je ti këtu

që e punove për vete këtu varrin?’

Çelte në lartësi varrin e vet,

varr për vete gdhendte në qetë.

17 Ja, o njeri,

me rrëmbim Zoti do të të flakë,

duke të kapur me tërbim,

18 lëmsh do të të mbledh,

porsi topin lëmuç do të të hedh

në tokë të gjerë e të hapët,

aty do të vdesësh

me karrocat madhështore të tuat,

o turpi i pallatit të zotërisë tënd!

19 Do të të heq prej vendit tënd,

do të të shkarkoj prej detyrës sate.

20 Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë,

Eliakimin, birin e Helcisë,

21 do t’ia vesh unë petkun tënd,

do ta ngjesh me brezin tënd,

do t’ia dorëzoj pushtetin tënd.

Do të jetë baba për banorë të Ruzalemit

e për shtëpinë e Judës.

22 Mbi shpatullën e tij do të vë

çelësin e shtëpisë së Davidit;

ai do të çelë e askush s’do të mbyllë,

ai do të mbyllë e askush s’do të çelë.

23 Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie

i shtëpisë së babait të tij.

24 Mbi të do ta varin tërë nderin e shtëpisë së babait të tij, bami e fisi, çdo enë e vogël, nga tasi deri tek shtamba.

25 Atë ditë ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive ‑ do nxirret gozhda e ngulur në vend të fortë, do të këputet e do të bjerë dhe gjithçka që qe varur në të do të mbarojë, sepse Zoti ka folur.”

Isaia: 23. Kundër Tirit

23

1 Profeci mbi Tirin.

Bëni gjëmë, anijet e Tarsit,

sepse u shkretua strehimi juaj!

U qe dhënë kumti

kur po ktheheshin nga dheu Ketim.

2 Shtanguni, banorët e bregdetit,

me tregtarët e Sidonit

që kapërcenin detin

ti ishe plot.

3 Të mbjellat e Nilit në ujë të shumtë,

të korrat e tij frytet e Lumit:

ishte bërë tregtia e popujve!

4 Turp për ty, o Sidon, fuqi detare!

Deti merr fjalën e thotë:

“S’i sprovova dhimjet e të lindurit,

unë nuk linda;

nuk rrita djelmosha

as nuk rrita vajza.”

5 Kur të hapet kumti në Egjipt,

do të mjerohen për çka do të dëgjojnë për Tirin!

6 Kaloni në Tars,

ulërini, banorët e bregdetit!

7 A është ky qyteti juaj i lavdishëm?

Në ditë shumë të largëta lashtësia e tij,

e këmbët larg e çonin

për themelim vendbanimesh.

8 E kush e sendërtoi këtë

kundër Tirit të kurorëzuar,

të kujt tregtarët princa ishin

e stërshitësit bujaria e vendit?

9 Kështu vendosi Zoti i Ushtrive

për të përulur krenarinë e çdo madhërie,

për të përulur të gjithë të mëdhenjtë e dheut.

10 Puno tokën tënde porsi brigjet e Nilit,

o bija e Tarsit, se më port nuk ke.

11 Dorën e vet e shtriu mbi det,

mbretëritë i tronditi,

Zoti urdhëroi kundër Kanaanit

të shkatërrohen kalatë e tij.

12 Ai tha: “S’do të vazhdosh më të lavdërohesh

virgjër e dhunuar, o bija e Sidonit!

Ngrihu e kalo në Ketim,

por as atje qetësi s’do të gjesh!”

13 Ja, toka e kaldenjve:

s’qe një tjetër popull i ngjashëm me të.

Asiria e themeloi për egërsira.

I ndërtuan pirgjet e veta;

i rrënuan pallatet e tij,

e bënë një grumbull rrënojash.

14 Lëshoni gjëmë, anije të Tarsit,

sepse u shkatërrua strehimi juaj!

Pushtimi i Tirit

15 Atë ditë do të ndodhë: Tiri do të mbetet i harruar për shtatëdhjetë vjet, sa zgjasin ditët e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetësh Tirit do t’i ndodhë siç thotë kënga e lavires:

16 “Merre cetrën, qarkullo qytetin,

moj lavire e lënë në harresë!

Bjeri bukur, këndo shumë,

që ndokush për ty të kujtohet.”

17 Kështu pra, pas shtatëdhjetë vjetësh, Zoti do ta vizitojë Tirin dhe do të fillojë përsëri t’i marrë fitimet e veta dhe prapë do të lavirësojë me të gjitha mbetëritë që janë mbi sipërfaqen e tokës. 18 Por fitesa e paga e tij do t’i kushtohen Zotit; nuk do të grumbullohen as nuk do të ruhen, sepse fitesa e tij do t’u takojë atyre që banojnë pranë Zotit që të kenë ushqim me mbushulli e të vishen sa më madhërisht.

Isaia: 24. Gjyqi i Zotit

24

1 Ja, Zoti po e shkatërron tokën,

copë po e bën,

po ia shëmton fytyrën,

banorët po ia shpërndan!

2 Njësoj do t’i ndodhë popullit e priftit,

skllavit e zotërisë,

skllaves e zonjës,

blerësit dhe shitësit,

huadhënësit e huamarrësit,

si atij që jep si atij që merr.

3 Toka do të shkatërrohet krejtësisht,

pa mëshirë pre do të bëhet:

sepse Zoti e ka thënë këtë fjalë!

4 Vajton toka, po lëngon,

po shkrihet, po lëngon bota,

qielli e toka janë në lëngim.

5 Prej banorëve të vet toka u dhunua,

sepse e shkelën Ligjin,

thyen urdhrin,

thyen Besën e përjetshme.

6 Këndej mallkimi tokën po e përpin,

rrjedhojat po i pësojnë banorët;

këndej po shuhen banorët e saj

e s’kanë mbetur, përveç fort pak njerëz.

Qyteti i shpartalluar

7 Vajton mushti,

lëngon hardhia,

rënkojnë të gjithë ata që u gëzohej zemra!

8 Pushoi gëzimi i tupanëve,

u zhduk zhurma e të gëzuarve,

heshti i cetrës ting’lli i ëmbël.

9 S’pihet më vera me këngë,

kush e pi farmak i duket.

10 U rropos qyteza e kotësisë,

u kyç çdo shtëpi që kush brenda të mos hyjë;

11 britmë n’për sheshe pse verë s’ka,

është zhdukur çdo hare,

çdo galdim u zhduk nga vendi.

12 U shua, u shkretua qyteza,

copë e grimë dera u bë!

13 Sepse kjo gjë do ta gjejë tokën,

mes popujve do të ndodhë

sikurse kur ullinjtë shkunden,

sikur pas vjeljes mblidhen kokrrat.

14 Ata zërin do të lartësojnë,

do të këndojnë madhërinë e Zotit,

nga deti do të brohorisin.

15 Këndej, pra, Zotit brohoritini në Lindje,

në ishuj të detit Emrit të Zotit,

Hyjit të Izraelit!

16 Në skaje të botës dëgjojmë lavde:

“Lavdi të Drejtit!”

Unë thashë:

“Emnesë, emnesë!

Vaj për mua!”

Të pabesët besën e thyen,

me pabesë e thyen besën të pabesët!

17 Tmerr e gropë e lak

mbi kokë i ke, banori i tokës!

18 E do të ndodhë:

kush nga tmerri do të shpëtojë,

në gropë do të bjerë,

nga humnera kush do të dalë,

në lak do të bjerë,

sepse hapur janë ujëpritëset e qiellit

dhe u trandën themelet e tokës!

19 Toka hapet, grimë po bëhet,

po copëtohet, toka po thërmohet,

toka dridhet, tmerrshëm tundet,

20 ço e rrëzo, porsi i dehuri këmbadoras,

dridhet thua se s’është, por çadër;

e keqja e saj mbi të peshon,

e rrëzon, s’e lë të çohet!

21 E atë ditë kështu do të ndodhë:

Zoti rreptë do ta ndëshkojë

atje lart ushtrinë në lartësi

e mbi tokë mbretërit e tokës,

22 do të mblidhen të lidhur në humnerë,

në pranga do të mbyllen në burg

e pas shumë kohe do të ndëshkohen.

23 Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli,

sepse do të mbretërojë Zoti i Ushtrive,

në malin Sion e në Jerusalem

Lavdia e tij do të shkëlqejë

në praninë e pleqve të vet.

Isaia: 25. Lutje falënderimi

25

1 O Zot, ti je Hyji im!

Do të të lartësoj,

Emrit tënd unë do t’i këndoj,

sepse i çove në vend

synimet e mrekullueshme,

të sendërtuara tani sa mot,

të njëmendta e të vërteta.

2 Sepse grumbull gurësh e bëre qytezën,

qytetin e fortifikuar e bëre rrënojë:

kalaja e krenarëve më nuk është qytezë,

për këtë jetë më s’do të ndërtohet.

3 Prandaj lavde të këndon populli i fortë,

të nderon qyteti i fiseve të forta.

4 Se ti u bëre fuqia e të dobëtit,

fuqia e të varfërit në nevojë të tij,

strehim në stuhi e hije në vapë:

sepse teket e tiranit

janë porsi stuhia në dimër.

5 Porsi vapa mbi tokë të djegur

ua përul krenarinë krenarëve,

porsi vapa në hije të resë

shuhet kënga e tiranëve.

Gostia mesianike

6 Zoti Hyji i Ushtrive

do të bëjë përmbi këtë mal

një gosti për të gjithë popujt:

me mish të majmë e me verë të moçme,

me mish të majmë plotë me palcë,

me verë të kulluar, të qartë si loti.

7 Në këtë mal ai do ta shqyejë

velin që ua mbulonte fytyrën

të gjithë popujve,

mbuluesin që i mbulonte

të gjithë popujt.

8 Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen,

Zoti Hyj nga çdo fytyrë

do të fshijë lotin,

nga çdo vend Ai do ta zhdukë

turpin e popullit të vet,

sepse Zoti kështu ka thënë.

9 Dhe do të thuhet po atë ditë:

“Ja, ky është Hyji ynë!

Në të shpresuam, Ai na shpëtoi!

Ky është Zoti, në Të shpresuam:

le të gëzojmë, të galdojmë

për shpëtimin që na e solli,

10 sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!”

E për tokë do të shqelmohet në vend të vet Moabi,

siç shqelmohet kashta në gropë të plehut,

11 në mes të saj ai duart do t’i shtrijë,

siç i shtrin notuesi kur bën not,

do të përulet krenaria e tij

megjithëse do të rropatë duart.

12 Kullat e forta të mureve të tua

Ai i thyen, rrafsh i bën, i shtron përdhe.

Isaia: 26. Kënga e ngadhënjimit

26

1 E atë ditë do të këndohet kjo këngë

në tokën e Judës:

“Qytezën e kemi të fortë,

na e ndërtoi Ai për shpëtim,

ndërtoi mure e paramure.

2 Hapni dyert:

le të hyjë populli i drejtë

që e mban besën.

3 Shpirti i të cilit s’ka luhatje;

ruaja paqen,

sepse në ty e ka vënë shpresën.

4 Kini shpresë në Zotin gjithherë,

sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

5 sepse i shkatërroi banorët e lartësisë,

e rrënoi qytezën e paafrueshme,

e rrafshoi me tokë,

e copëtoi e bëri pluhur.

6 E shqelmon këmba,

e shkelin këmbët e skamnorëve,

e rrahin gjurmët e të vobektëve.”

Psalmi

7 Udha e të drejtit është e drejtë,

të drejtit ti ia rrafshon shtegun,

8 Udhës që endin gjyqet e tua,

ne, o Zot, në ty shpresojmë;

Emri yt e kujtimi yt

është dëshira e shpirtit tonë.

9 Shpirti im të dëshiron natën,

me mend të mia, në veten time të kërkoj.

Kur zbatohen vendimet e tua në tokë,

banorët e botës e mësojnë drejtësinë.

10 Nëse i paudhi merret me butësi,

ai askurrë s’e mëson drejtësinë;

në tokë të drejtësisë ai vepron të keqen,

e s’e sheh madhërinë e Zotit.

11 E lartësuar është, o Zot, dora jote

e ata s’e shohin;

le ta shohin, të turpëruar, dashurinë

për popullin tënd,

i përpiftë zjarri i bërë gati për armiqtë e tu.

12 Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen,

pasi ti të mbarën ua jep

gjithçkaje që ne ndërmarrim.

13 O Zot, Hyji ynë, të tjerë zotërues,

përveç teje, na zotëruan,

porse ne vetëm ty, Emrin tënd e kujtojmë.

14 Të vdekurit më nuk do të ngjallen,

hijet më nuk do të ringjallen;

këndej edhe i ndëshkove, i zhduke,

zhduke çdo kujtim të tyre!

15 E shtove popullin, o Zot,

e shtove popullin,

e u madhërove;

i shtrive kufijtë e tokës.

16 Ty, o Zot, të kërkuan në ngushticë,

t’u lutën në provë,

kur ti i ndëshkoje.

17 Si shtatzëna, kur për të lindur i afrohen dhimbjet,

me ofshama bërtet nga dhimbjet e veta,

të tillë u bëmë përpara teje, o Zot.

18 Ngjizëm, në dhimbje jemi

thua se do të lindim:

lindëm erë; vendit shpëtim nuk i sollëm,

as nuk lindën banorët e botës.

19 Por përsëri do të rijetojnë të vdekurit,

të vrarët e mi do të ringjallen.

Çohuni e brohoritni, ju që banoni në pluhur,

sepse vesa jote është vesa e dritës

edhe toka hijet e të vdekurve në dritë do t’i nxjerrë!

Kalimi i Zotit

20 Nisu, populli im, hyr në dhomat e tua,

mbylle pas vetes derën,

fshehu për pak kohë

derisa të kalojë zemërimi.

21 Sepse, ja, Zoti po del nga banesa e vet,

për t’i ndëshkuar fyerjet

që ia bënë banorët e tokës.

Edhe toka do ta vjellë gjakun që është derdhur mbi të

dhe më s’do t’i fshehë të vrarët e vet.”

Isaia: 27. Vreshti i Zotit

27

1 Atë ditë Zoti do ta ndëshkojë

me shpatën e vet të mprehtë, të fortë e të madhe

Leviatanin, gjarprin që bën dredha,

Leviatanin, gjarprin dredha dredha,

do ta mbysë kuçedrën e detit.

Vreshti i Zotit

2 Atë ditë do të jetë një vresht i ëmbël:

këndojini atij!

3 Unë, Zoti, atë e ruaj,

çdo kohë vetë e ujis,

roje i rri natë e ditë,

që askush të mos e dëmtojë.

4 Kundër tij nuk jam zemëruar.

A qet kokë ferrë e hallugë?

Në luftë do të sulem kundër tyre,

në flakë të zjarrit do t’i djeg!

5 O, më mirë, le të bjerë në ndore,

le të bëjë me mua paqe,

me mua paqe le të bëjë.

Hir Jakobit e ndëshkim ndrydhësit

6 Në ditë të ardhshme rrënjë do të lëshojë Jakobi,

do të qesë pipa e lule Izraeli,

me fruta të veta do ta mbushë krejt botën.

7 A i ra Zoti sikurse u ra

atyre që i ranë atij?

A e vrau Izraelin sikurse i vrau

ata që e vranë atë?

8 E ndëshkon me masë duke e dëbuar,

e dëbon me frymën e vet të fortë,

me atë fuqi që fryn era e lindjes.

9 Pikërisht kështu do të shpërblehet fajësia e Jakobit,

e ky do të jetë fryti i faljes së mëkatit të tij.

Le të veprojë me gurët e lterit

siç grimcohen gurët e gëlqeres,

të mos ngriten më askurrë

gurngula e lterë kemimi.

10 Sepse shkret mbeti qyteti i fortë,

vend i lëshuar, i lënë si shkretëtirë.

Aty viçat dalin në kullotë,

aty ka gjenë, gërmushat brejnë.

11 E kur gemat i thahen, ia thyejnë,

gratë i marrin e me to bëjnë zjarr.

Sepse ky s’është popull i mençur,

Ai që e krijoi për të s’do të ketë mëshirë,

s’do ta falë Ai që e përftoi.

Kthimi i Izraelit

12 Po atë ditë Zoti do t’i shtypë kallëzat

nga Lumi gjer në përroin e Egjiptit,

kurse ju do t’ju bashkojë

një nga një, o izraelitë!

13 Po atë ditë do të bjerë boria e madhe,

do të vijnë të humburit në dhe të Asirit,

e të mërguarit në tokë të Egjiptit

dhe do ta adhurojnë Zotin

në Malin e shenjtë, në Jerusalem.

Isaia: 28. Kundër Samarisë

28

1 Vaj për kurorën e të dehurve të Efraimit,

për lulen e vyshkur, stolinë e saj krenare,

për ata që ishin në krye të luginës pjellore,

të marrakotur nga vera!

2 Ja, prej Zotit i dërguar një njeri i fortë,

si reja me breshër, si vorbulla me stuhi,

si rrjedha e ujërave të shumta vërshuese,

gjithçka për tokë përplas me përdhuni!

3 Me këmbë do të shkelmohet

kurora krenare e Efraimit,

4 dhe lulja e vyshkur, stolia e saj krenare,

që është në krye të luginës pjellore,

do të jetë porsi fiku i pjekur para vere,

që posa dikush e sheh,

menjëherë e vjel me dorë

dhe e përlan!

5 Por atë ditë Zoti i Ushtrive do të jetë

kurora e lavdishme,

dhe keza e shkëlqyeshme

për Tepricën e popullit të vet,

6 shpirti i drejtësisë për atë

që rri në ndenjësen e gjyqtarit

dhe forcë e guxim për ata

që e zmbrapsin sulmin në derë!

Kundër priftërinjve e profetëve të rremë

7 Po se edhe këtyre këmbët po u merren,

ço e rrëzo për shkak të të dehurit përkunden,

të dehur lëkunden priftërinj edhe profetë,

vera i bëri për vete,

të dehur këmbët u merren,

të tupitur në vegim,

të përkundur në gjykim.

8 Të gjitha tavolinat

plot janë me të vjella të ndyta,

s’ka më asnjë vend të pastër!

9 “Kujt ai kështu ia mëson urtinë?

Kujt ai kështu ia shtjellon vegimin?

A thua foshnjave të hequra nga qumështi,

a thua foshnjave posa të larguara nga parzmat?”

10 Sepse përsërit:

“Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj,

rregull mbi rregull e rregull mbi rregull,

pak këtu e pak atje!”,

11 me buzë belbacuke, në gjuhë të huaj

i flet këtij populli

12 ai që u kishte pasë thënë:

“Ja, pushimi! Jepini pushim të lodhurit!

Ja qetësia!”,

por s’deshën të dëgjojnë!

13 Prandaj Zoti kështu do t’u thotë:

“Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj,

rregull mbi rregull e rregull mbi rregull,

pak këtu e pak atje!”

që të shkojnë e të bien në kokërr të shpinës,

që të thërmohen, të zihen në leq e të kapen!

Kundër këshilltarëve të këqij

14 Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit,

ju o përqeshës,

që zotëroni mbi popullin tim

që është në Jerusalem.

15 Ju thoni: ‘Kemi bërë lidhje me Vdekjen,

jemi marrë vesh me Nëntokën;

kur të kalojë shuplaka përmbytëse,

ne nuk do të na kapë,

sepse shpresën tonë e kemi vënë në rrenë

dhe jemi fshehur në dredhi.’

16 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

‘Ja, unë do të vë për themel një gur në Sion,

gur të sprovuar, këndor,

të çmueshëm, të themeluar;

kush të besojë s’do të marrakotet.

17 Të drejtën do ta bëj masë

e drejtësinë plumç;

dhe breshri do ta rrënojë strehimin tuaj të gënjeshtrës

e ujët do ta vërshojë vendin e fshehjes.

18 Do të zhbëhet lidhja juaj me Vdekjen

dhe marrëveshja juaj me Nëntokën s’do të qëndrojë!

Kur të kalojë shuplaka vërshuese

përmbi ju ajo do të shkelë;

19 sa herë që të kalojë, përpara do t’ju marrë;

do të kalojë çdo mëngjes,

ditë e natë:

vetëm tmerri do të bëjë

të merret vesh porosia.’

20 Tepër i shkurtër do të jetë shtrati

për t’u shtrirë njeriu,

tepër e ngushtë do të jetë mbuloja

për t’u mbuluar.

21 Sepse, porsi mbi malin Farasim Zoti do të ngrihet,

porsi në luginën e Gabaonit do të zemërohet,

për ta kryer veprën e vet ‑ veprën e jashtëzakonshme,

për ta bërë punën e vet ‑ punën e vet të mrekullueshme.

22 E tani pushoni së përqeshuri,

që të mos ju shtrëngojnë edhe më tepër prangat,

sepse prej Zotit, Hyjit të Ushtrive,

dëgjova urdhrin e shkatërrimit

kundër mbarë botës.

Shëmbëlltyra

23 Ma vini veshin e dëgjojeni zërin tim,

me kujdes dëgjojeni bisedën time.

24 A thua nuk lëron gjithë ditën bujku për të mbjellë,

a s’e thyen e s’e trinon arën e vet?

25 E pasi ia rrafshon sipërfaqen

a s’mbjell qiqër, nuk e qet morajën,

nuk e hedh grurin e elbin,

e anëve të arës thekrën?

26 Të veprojë drejtë dijen ia jep,

e mëson Hyji i tij.

27 Sepse qiqra nuk shihet me trinë,

as moraja me rrotë qerri,

por me thupër shihet qiqra

e me shkop rrahet moraja.

28 Pse a thua gruri grimcohet?

Jo, pse s’shihet pa mbarim:

s’e grimcon rrota e qerrit,

as s’thërmohet nga thundrat e kuajve.

29 Edhe kjo patjetër vjen

prej Zotit, Hyjit të Ushtrive,

që është në këshill i mrekullueshëm,

i madhërueshëm për nga dija.

Isaia: 29. Mbi Jerusalemin

29

1 Vaj për Arielin! Për Arielin,

qytet që e rrethoi Davidi!

Le t’i shtohet viti vitit

derisa festat të marrin fund,

2 atëherë do të rrethoj Arielin,

e do t’ia nisë gjëma e ofshama,

atëherë do të më jesh Ariel i vërtetë.

3 Do të të rrethoj si Davidi,

kundër teje do të ngreh llogore,

do të ngreh penda kundër teje.

4 Do të përulesh, nga dheu do të flasësh,

nga pluhuri e vdekur do të dalë fjala,

si i fantazmës nga dheu do të dalë zëri,

fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.

5 Pluhur i hollë do të jetë turma e armiqve të tu,

porsi byku që e mbart era

turma e ndrydhësve të tu,

6 sepse papritmas do të të vijë në pasi

Zoti i Ushtrive

me gjëmë moti, me tundje të tokës,

me poterë të madhe, vorbull, me stuhi,

me flakë zjarri që përpin.

7 Do të jetë porsi ëndrra,

si një vegim që shtihet natën,

turma e të gjithë popujve

që lufton kundër Arielit,

të gjithë ata që luftojnë kundër tij,

edhe kundër qytezës së tij,

si dhe ata që në rrethim i mbajnë.

8 Do të jetë porsi i urituri kur ëndërron se ha,

e kur zgjohet, barku zbrazët;

porsi i eturi kur ëndërron se pi,

e kur zgjohet, i etshëm, goja shkrumb e barku zbrazët;

kështu do t’i ndodhë turmës së të gjithë popujve

që luftojnë kundër Malit Sion.

9 Habituni, shtanguni nga habia,

verbohuni, me sy mos shihni!

Janë të dehur, por jo prej verës,

këmbët u merren, por jo nga të dehurit!

10 Sepse Zoti e ndikoi mbi ju

shpirtin e molisjes:

sytë jua mbylli ‑ o profetë,

kokën jua mbuloi ‑ o shikues.

Fshehtësia e zbulesës

11 Për ju çdo zbulesë do të jetë porsi fjalët e librit të vulosur. Nëse ia japin dikujt që di të lexojë e i thonë: “Na e lexo!”, ai do të përgjigjet: “Nuk mundem, sepse është i vulosur!” 12 Ose i jepet libri atij që s’di të lexojë e i thuhet: “Lexoje!”, ai do të përgjigjet: “S’di të lexoj.”

Kërcënim

13 E Zoti tha:

“Pasi ky popull më afrohet vetëm me fjalë,

e më nderon vetëm me buzë,

kurse zemra e tyre është larg meje,

frika e tij ndaj meje nuk është tjetër,

veç një rregullore njerëzish, e mësuar,

14 këndej, pra, unë do të vazhdoj

të sillem çuditshëm me këtë popull,

në mënyrë të çuditshme e të sterçuditshme:

do të zhduket urtia e të urtëve të tij,

do të errësohet mençuria e të mençurve të tij.”

Kundër këshilltarëve të këqij

15 Mjerë ata që prej Zotit

thellë i fshehin synimet e veta,

që veprojnë në terr e thonë:

“Kush na sheh e kush na njeh?”

16 Sa i poshtër është mendimi juaj!

Vallë, vorbëtari do të çmohet si balta,

që vepra e tij t’i thotë krijuesit të vet:

“Ti s’më përftove”,

t’i thotë ena basit të vet:

“Ti s’ke mend!?”

17 Vallë është pak, krejt edhe pak kohë,

e Libani a s’do të kthehet në pemishte,

e pemishtja a s’do të mbahet për pyll?

18 Atë ditë të shurdhët do t’i dëgjojnë fjalët e librit,

të çliruar nga errësira e terri, do të shohin sytë e të verbërve.

19 Gëzim mbi gëzim do të kenë në Zotin të varfërit,

në Shenjtin e Izraelit do të gëzojnë më skamnorët,

20 sepse mujshar më s’do të ketë,

përqeshësit do të zhduken,

sendërtuesit e së keqes do të zhduken:

21 ata që me fjalë fajtorë qesin të tjerët,

që e shtrembërojnë në pleqëri gjyqin

e për asgjë poshtë e hedhin të drejtin.

22 Prandaj kështu i thotë Shtëpisë së Jakobit

Zoti që e shpërbleu Abrahamin:

“Tani e tutje s’do të turpërohet më Jakobi,

askurrë më fytyra s’do t’i skuqet,

23 sepse, me të parë veprën time mes tij,

të Shenjtë do ta shpallin Emrin tim,

të Shenjtë do ta shpallin Shenjtin e Jakobit,

frikë do ta kenë Hyjin e Izraelit,

24 shpirtrat e gabuar do ta njohin urtinë

e ata që murmurisin do të bien në fije.”

Isaia: 30. Kundër dërgatës në Egjipt

30

1 Vaj për bijtë mospërfillësit,

‑ është fjala e Zotit ‑

që bëni synime, por pa mua,

që bëni lidhje jo të frymëzuara prej meje,

kështu që shtoni mëkat mbi mëkat!

2 U nisët të zbritni në Egjipt

e s’e pyetët gojën time.

Prisni ndihmë nga forca e faraonit,

e shpresoni në strehimin e Egjiptit.

3 Fuqia e faraonit do të jetë marrja juaj,

strehimi nën hije të Egjiptit turpi juaj!

4 Kur të arrijnë prijësit tuaj në Tanis,

lajmëtarët të kenë arritur në Hanes,

5 të gjithë atëherë do të skuqen

mbi një popull që gjë s’u vlen,

që s’u sjell ndihmë as dobi,

por vetëm turp e poshtërim.

Profeci tjetër kundër dërgatës

6 Profeci mbi kafshët e Nagebit.

Në një vend vuajtjeje e mjerimi,

luaneshe e luani që ulërijnë,

shllige e kuçedre me krahë,

bartin në shpinë të gomarëve pasuritë e veta,

mbi gungë gamilesh visaret e veta

e ia çojnë popullit që asgjë s’u vlen!

7 E kotë dhe e padobishme është ndihma e Egjiptit,

këndej edhe e quajta Rahab ‑ i palëvizshëm.

Testamenti

8 Çohu tani e ndër sy të tyre

shkruaje mbi dërrasë bushi,

me kujdes shënoje në libër

që të mbetet për kohë të ardhshme

si dëshmi deri në amshim.

9 Sepse është popull kryengritës,

sepse janë bij rrenacakë,

bij që s’duan ta dëgjojnë

Ligjin e Zotit.

10 Veguesve ata u thonë:

“Mos kini vegime!”

e profetëve:

“Mos na e parakallëzoni të drejtën!

Na tregoni gjëra të kënaqshme,

na parakallëzoni tallje!

11 Dredhoni nga udha e drejtë,

dilni nga shtegu i vërtetë,

na e hiqni sysh Shenjtin e Izraelit!”

12 Prandaj kështu foli Shenjti i Izraelit:

“Për arsye se e përbuzët këtë fjalë,

e shpresoni në mbrapshti e pabesi

edhe në to e mbështetni veten,

13 këndej për ju ky mëkat do të jetë

porsi plasa, porsi vendi i fryrë në mur të lartë,

që vetëm se nuk ka rënë,

por rrënohet menjëherë, kur nuk pritet,

14 do të copëtohet si një anë dheu,

do të thërrmohet pa farë mëshire,

asnjë copëz s’do të mbesë prej saj

të kapësh me të një gacë nga zjarri

o prej pusit të nxjerrësh një pikë ujë!”

15 Sepse kështu tha Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit:

“Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj,

në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.”

16 Por nuk deshët e vetë thatë:

‘Assesi, por do të shpëtojmë në kuaj!’,

e prandaj edhe do të ikni;

shtuat:’Do të hipim mbi kuaj të shpejtë!’,

por edhe përndjekësit do të jenë të shpejtë.

17 Prej frikës së njërit një mijë do të tremben,

prej frikës së pesëve do të merrni ikjen,

derisa të mbeteni

si mullari në majë të malit,

porsi flamuri në majë të kodrës.

Hyji do të falë

18 E pra Zoti pret t’ju përdëllejë,

prandaj ngritet për t’ju bërë mëshirë,

sepse Zoti është Hyj drejtësie:

lum ata që shpresojnë në të.

19 Sepse, popull i Sionit, që banon në

Jerusalem,

askurrë më nuk do të qash

mëshirë do të ketë posa të kërkosh ndihmë,

porsa të dëgjosh Ai do të të japë ndihmë.

20 Edhe Zoti do t’ju japë

bukën e ngushticës, ujët e mjerimit,

porse Mësuesi prej teje s’do të fshihet,

sytë e tu do ta shohin Mësuesin tënd,

21 veshët e tu do të dëgjojnë fjalën

që qortuesi do të të thotë pas shpine:

‘Kjo është udha, andej bijini!’

nëse mënjanoheni djathtas o majtas.

22 Për të papastër do t’i mbash

idhujt e tu në argjend të farkuar,

idhujt e tu të veshur me ar,

do t’i tretësh porsi të papastër,

do t’u thuash: ‘Jashtë prej këndej!’

23 Atëherë ai do të japë shi për farën tënde

që të kesh mbjellë nëpër ara,

edhe buka që do të japë toka

e shumtë do të jetë edhe e ushqyeshme

Gjëja jote atë ditë do të kullotë:

anembanë nëpër kullota të gjera,

24 qe e gomarë që punojnë tokën

do të hanë tagji të kripur

të hedhur me lopatë e terplote.

25 E do të jenë mbi çdo mal të lartë

e mbi çdo kodër të lartësuar

përrenj që rrjedhin me ujë vrullshëm

ditën e vrasjes me shumicë,

kur për tokë të bien kullat.

26 Drita e hënës do të ndriçojë si drita e diellit,

drita e diellit do të jetë më e fortë

shtatë herë, porsi drita e shtatë ditëve

‑ ditën, kur Zoti

t’ia lidhë varrën popullit të vet,

do t’ia shërojë plagën që vetë ia dha.

Rrënimi i Asirisë

27 Ja, prej së largu po vjen Emri i Zotit,

flakë e shkëndijë zemërimi i tij,

tmerruese bubullima e tij,

plot zemërim buzët e tij,

zjarr përpirës gjuha e tij!

28 Fryma e tij përrua vërshues,

që arrin deri në fyt,

po i shosh popujt me shoshë kërdie,

u vë popujve në nofulla fre joshës.

29 Kurse ju do të këndoni

porsi natën e kremtimit të Festës,

me gëzim të zemrës,

porsi ai që, me zë të fyellit

shtegton në ndjesë në malin e Zotit,

në Qetën e Izraelit.

30 Do të bëjë Zoti t’i dëgjohet zëri i

madhërishëm,

do të dëftojë si rropos krahu i tij

me furinë e tërbimit të vet,

me flakë të zjarrit përvëlues,

me thellim, me stuhi e me kokrra breshri.

31 Prej zërit të Zotit do të trembet

Asiri, në hu i rrahur!

32 Çdo sjellje e shkopit ndëshkues

që Zoti mbi të do të sjellë,

do të përcillet me tupan e cetër,

në luftëra të vrullshme Ai do t’i luftojë.

33 Qëmoti është gati Tofeti,

i përgatitur, i thelluar, i zgjeruar,

turra e ndezur e dru shumë:

fryma e Zotit, përrua sulfuri,

do ta ndezë flakë!

Isaia: 31. Kundër lidhjes me Egjiptin

31

1 Vaj për ata që zbresin në Egjipt për ndihmë,

që shpresën e kanë në kuaj,

që shpresojnë në karroca lufte të shumta,

e në kalorës pse janë tepër të fortë

e nuk e vënë shpresën në Shenjtin e Izraelit

e prej Zotit këshillë s’kërkojnë!

2 Po, edhe Ai është i dijshëm e mund të sjellë të keqen,

fjalët e veta Ai nuk i kthen dalë,

Ai do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve,

kundër ndihmës së atyre që bëjnë keq.

3 Egjiptiani është njeri e jo Hyj,

kuajt e tyre mish janë e jo shpirt;

e kur Zoti të shtrijë dorën e vet,

do të rrëzohet ai që sjell ndihmë,

për dhe do të bjerë edhe i ndihmuari,

të gjithë së bashku do të sharrojnë.

Kundër Asirisë

4 Sepse kështu Zoti më ka thënë:

“Siç ulërin tmerrshëm luani

o kotorri i luanit mbi prenë,

kur në të lëshohet turma e barinjve,

por nuk trembet prej zërit të tyre

as s’ka frikë prej zhurmës që bëjnë ata,

kështu do të zbresë Zoti i Ushtrive

për të luftuar për malin Sion,

për kodrinën e tij.

5 Porsi shpendët që fluturojnë,

kështu Zoti i Ushtrive

do ta mburojë Jerusalemin,

do ta mbrojë, do ta çlirojë,

do ta falë, do ta shpëtojë!”

6 Kthehuni tek Ai, bij të Izraelit,

prej të cilit u larguat krejtësisht!

7 Po atë ditë secili prej jush duhet t’i flakë

idhujt e vet të argjendtë e të artë,

që i punuat me duart mëkatare tuajat!

8 Asiria s’do të bjerë prej shpatës së njeriut,

do ta përpijë shpata jo e vdekatarit,

do të marrë arratinë para shpatës,

të rinjtë e tij skllevër do të bëhen.

9 E frikësuar do të shkojë fuqia e saj,

krerët e saj do ta druan flamurin,

tha Zoti zjarri i të cilit është në Sion,

furra e të cilit është në Jerusalem.

Isaia: 32. Mbreti i drejtë

32

1 Ja se mbreti do të mbretërojë me drejtësi,

sundimtarët drejt do të sundojnë,

2 çdo njeri do të jetë straherë,

në mot të lig do të jetë strehim,

si përrenj uji në tokë të etur,

si hija e qetës në vend të shkrumbuar.

3 S’do të errësohen më sytë e veguesve,

me vëmendje do të dëgjojnë dëgjuesit,

4 zemra e të paditurve do ta mësojnë urtinë,

shpejt e rrjedhshëm do të flasë belbacaku

5 bujar më s’do të quhet i pandershmi,

burrë i mirë s’do të mbahet ngatërrestari.

Trashamani e bujari

6 Sepse marri flet i patenzoni,

paudhëri i sendërton zemra,

që me qëllim të kryejë pabesi,

të pohojë gabime në lidhje me Zotin,

të uriturit zbrazët barkun, t’ia lërë,

të mos i japë të eturit të pijë.

7 Shumë të këqija janë gënjeshtrat e mashtruesit,

sendërton me mend dredhi,

për t’i bjerrë të përvuajturit me fjalë të rreme

edhe atëherë kur i varfëri mund të vërtetojë të drejtën.

8 Bujari jep veç këshilla bujare

e vepron gjithherë me bujari.

Kundër grave të Jerusalemit

9 Ngrihuni, gra mendjelehta,

dëgjojeni zërin tim,

bija të shkujdesura,

vini vesh fjalës sime!

10 Pas një viti e ca ditësh,

do të trembeni, o mendjelehta;

u krye vjelja,

mbledhje frutash më s’do të ketë!

11 Dridhuni, o mendjelehta,

trembuni, o të pakujdesura,

hiqni stolitë, zhveshuni,

ngjeshni ijët me grathore.

12 Rrahni parzmat

për shkak të arave të lezetshme,

për vreshtat pjellore,

13 për tokën e popullit tim,

që e mbulon ferrë e hallugë,

për të gjitha shtëpitë e gëzimit,

për qytetin që galdon!

14 Sepse i braktisur do të jetë pallati,

shkret do të mbetet qyteti plot zhurmë,

Ofeli edhe Bahani

shpellë do të bëhen për amshim,

gëzim për gomarët e egër,

kullotë për grigja!

Shpëtimi do të vijë prej Zotit

15 Deri që përsëri mbi ne

të dikohet Shpirti prej së larti.

Atëherë shkretëtira në kopsht do të shndërrohet,

edhe kopshti si pyll do të vlerësohet,

16 në shkretëtirë do të banojë e drejta,

në kopsht drejtësia do të ketë selinë.

17 Fryti i drejtësisë ‑ paqja do të jetë,

rrjedhojë e drejtësisë qetësia,

shpresë e sigurt për amshim.

18 Populli im do të banojë në një vend paqeje,

do të jetojë në banesa të qeta,

në vende të sigurta

19 ‑ porse pylli krejtësisht do të pritet

e qyteti krejtësisht do të humbasë ‑ .

20 Të lumët ju: do të mbillni pranë ujërash,

të lirë do të lini ka e gomar!

Isaia: 33. Psalm shprese në Zotin

33

1 Vaj për ty që bën pre pa qenë bërë pre,

që shkreton pa pasë qenë shkretuar!

Pasi të kesh bërë pre edhe ti pre do të bëhesh,

pasi të kesh shkretuar edhe ti do të shkretohesh!

2 Ti, o Zot, ki mëshirë për ne,

sepse shpresën e kemi në ty.

Krahu ynë ji çdo mëngjes,

shpëtimi ynë në ditë të mjerimit!

3 Nga zëri i kërcënimit ikin popujt,

kur ti ngrihesh, shpërndahen popujt,

4 do të grumbullohet pre siç grumbullohen vemjet,

në të do të sulen, siç sulen karkalecat!

5 I lartë është Zoti, sepse banon në lartësi,

e mbush Sionin me të drejtë e me drejtësi.

6 Ditët e tua janë të palëkundshme.

Pasuri shpëtimprurëse është urtia e dija,

visari i tij është frika e Zotit.

Ardhja e Zotit

7 Ja, kasnecët thërrasin nga jashtë,

thekshëm qajnë lajmëtarët e paqes.

8 Shkretë janë sheshet, kush rrugës s’kalon;

e prishi besëlidhjen,

i përbuzi dëshmitarët,

për askënd s’kujdeset më.

9 Dënes e rënkon toka,

i turpëruar Libani, u bë i shëmtuar,

shkretëtirë erdhi e u bë Saoni,

shkrumb u bënë Bazani e Karmeli.

10 “Tani po ngrihem ‑ thotë Zoti ‑

tani në këmbë po çohem, tani po madhërohem!

11 Ngjizni sanë, kashtë do të lindni,

fryma ime do t’ju përpijë si zjarri!

12 Popujt do të jenë furra gëlqereje,

rrozga të bashkuara, zjarri do t’i djegë!

13 Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra,

njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!”

14 U tmerruan në Sion mëkatarët,

tmerri i pushtoi të paudhët:

“Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës?

Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?”

15 Ai që ecën me drejtësi,

ai që flet çka është e drejtë,

që s’kërkon fitim në cubëri,

që shkund duart të mos marrë ryshfet,

që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje,

që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,

16 i tilli do të banojë në lartësi,

strehimi i tij në qytezë të pathyeshme,

bukë ka mjaft, ujët s’i mungon.

E ardhmja e lavdishme

17 Sytë e tu do të kundrojnë mbretin

mbuluar në shkëlqim,

do të kundrojnë një vend të pamasë.

18 Zemra jote me frikë do të pyesë:

“Ku është shkruesi? Ku peshuesi?

Kah vajti numëruesi i pirgjeve?”

19 S’do të shohësh më popull arrogant,

të gjuhës së huaj që vesh nuk merret,

të gjuhës barbare, të pakuptimshëm.

20 Kundro Sionin, qytetin e festave tona;

sytë e tu do të shohin Jerusalemin,

banim të sigurt, tendë që nuk do të zhgrehet,

hunjtë e saj kurrë s’do t’i nxirren,

e litarët kurrë s’do t’i këputen!

21 Atje është Zoti i madhërishëm për ne,

në vend të lumenjve e të degëve të gjera;

anije me rrema andej s’do të kalojë,

s’do të lundrojë asnjë anije e madhe.

22 Sepse Zoti është gjykatësi ynë,

sepse Zoti është ligjdhënësi ynë,

Mbreti ynë është Zoti vetë:

prej Tij ne presim shpëtimin.

23 Janë çliruar litarët e tu,

s’mund ta mbajnë direkun tënd,

s’mund ta shtrijnë velin tënd.

Edhe të verbërit atëherë do të ndajnë pre,

do të plaçkisin deri edhe të shqeptët!

24 Asnjë qytetar s’do të thotë: “Jam i sëmurë”.

Popullit që banon në të,

do t’i shlyhet fajësia.

Isaia: 34. Mbarimi i Edomit

34

1 Vegjëli, afrohuni për të dëgjuar,

me kujdes vështroni, o popuj:

të dëgjojë toka me banorë të saj,

bota mbarë me çka prodhon!

2 zemërimi i Zotit shfreu përmbi popujt mbarë,

furia e tij mbi të gjithë ushtrinë e tyre,

ia kushtoi mallkimit, i caktoi për kërdi!

3 Rrah për tokë do të hidhen të vdekurit,

do të përhapet qelbësira e kufomave,

me gjak të tyre do të zhgërryhen malet.

4 U shkatërrua mbarë ushtria e qiellit,

u shrrotullua porsi libër qielli

shkëputen, bien të gjithë yjet e tij,

siç bie gjethi i hardhisë,

porsi gjethi i thatë i fikut.

5 Sepse dehur është në qiell shpata ime,

ja, po bie përmbi Edom,

për të bërë gjyq mbi popull të truar mallkimit.

6 Shpata e Zotit gjak kullon,

ngirë me dhjamë,

me gjak qengjash edhe kecash,

e me dhjamë veshkash të deshve,

sepse flia e Zotit po kushtohet në Bosra,

kërdi e madhe në dhe të Edomit.

7 Bashkë me ta po therren buajt,

mëzetërit bashkë me taroça,

me gjak të tyre do të dehet toka,

dheu i tyre do të mëlmehet me dhjamë,

8 sepse është dita e hakmarrjes së Zotit,

vit shpagimi për të marrë gjakun e Sionit.

9 Përrenjtë e tij do të shndërrohen në peshkve,

dheu i tij do të bëhet sulfur,

peshkve e ndezur vendi i tij!

10 Nuk do të fiket as natë as ditë,

fjollë përherë do të ngjitet tymi i tij,

brez pas brezi i shkretë do të mbesë,

askurrë më n’për të kush s’do të kalojë.

11 Hut e iriq do ta pushtojnë,

kukuvajkë e korb në të do të banojnë.

Mbi të Zoti do të shtrijë tejen e tytësisë,

edhe plumçin e zbrazëtisë.

12 Më s’do të jenë bujarët e tij,

as mbretërinë nuk do ta shpallin,

prijësit të gjithë do t’i asgjësohen.

13 Në shtëpitë e tij do të mbijnë ferrat,

në pirgje të tij hithra e gëmusha,

do të bëhet strofull çakajsh

shtrat për struca.

14 Macet e egra do të shoqërohen me hiena,

leshataku zë do t’i lëshojë mikut,

aty zogjtë do të pjellë kuçedra,

për vete do të gjejë qetësi.

15 Aty shlliga do të ndreqë çerdhen,

do të vendosë vezët e veta,

ndenjur mbi to, do t’i nxejë në hijen e tij;

aty së bashku do të mblidhen hutat.

16 Kërkoni në librin e Zotit

e lexoni:

asnjë prej tyre s’mungon,

njëri tjetrin s’ka pse e pret,

sepse urdhëroi kështu goja e Zotit,

vetë shpirti i tij ato i bashkoi.

17 Sepse Ai ua qiti shortin,

dora e tij me teje ua ndau tokën:

do ta kenë pronë përgjithmonë,

brez pas brezi në të do të banojnë.

Isaia: 35. Gjyqi i Zotit

35

1 Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme,

le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!

2 Le të bulëzojë e le të lulëzojë,

le të gazmojë, në hare të shpërthejë!

Iu dhurua lavdia e Libanit,

e Karmelit stolia dhe e Saronit!

Do ta shohin lavdinë e Zotit,

shkëlqimin e Hyjit tonë!

3 Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura,

fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur!

4 Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:

“Mbahuni! Frikë mos kini!

Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja!

Ia behu shpagimi i Hyjit!

Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”

5 Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve,

veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë;

6 atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri

gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare,

se në shkretëtirë do të burojnë ujërat,

përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.

7 Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet,

vendi i thatë mbushur me burime!

Në strofull ku strukej çakalli,

do të rritet kallam e xunkth.

8 Do të ketë shteg e do të ketë udhë,

do të quhet Udha e shenjtë:

i papastërti n’për të s’do të kalojë,

për ta do të jetë udhë e drejtë,

që të marrët të mos enden nëpër të.

9 Luanë në të nuk do të ketë,

bishë grabitqare n’për të s’do të kalojë

as në të kurrë më s’do të gjendet,

andej do të bien vetëm të çliruarit,

10 do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit.

Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi,

do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm,

do t’i shoqërojë gëzimi e hareja,

do të zhduket trishtimi e dënesa.

Isaia: 36. Pushtimi i Senakeribit

36

1 Të katërmbëdhjetin vit të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i asirianëve, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judesë dhe i pushtoi. 2 Atëherë mbreti i Asirisë nga Lakisi e dërgoi rabsakun në Jerusalem te mbreti Ezeki me një ushtri të madhe. Ky zuri vend tek ujësjellësi i Liqenit të sipërm në udhën e fushës së Larësit të rrobave.

3 I dolën në takim Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i oborrit, sekretari Sobna dhe këshilltari Joahe, biri i Asafit. 4 Rabsaku u tha: “Thuajini Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: Ç’është kjo siguri e madhe që po e tregon?

5 Ti mendon: ‘Mjafton një fjalë goje për të gjetur këshillë e forcë në luftë!’ Në kë pra, ti e ke vënë shpresën që je çuar kundër meje? 6 Ja, ti po mbështetesh tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, tek i cili kush mbështetet, ia ther dorën dhe ia shporon: i tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të. 7 Nëse do të më përgjigjesh: ‘Shpresojmë në Zotin, Hyjin tonë’, pse a nuk është ai, të cilit Ezekia ia hoqi lartësirat dhe lterët dhe i tha Judës e Jerusalemit: ‘Adhuroni vetëm para këtij lteri!’ 8 Qiti bast, pra, zotërisë tim, mbretit të Asirisë, dhe unë do të jap dy mijë kuaj, nëse mund të gjesh kalorës për ta. 9 E si do të mund t’i bësh ballë vetëm edhe njërit ndër më të vegjlit shërbëtorë të zotërisë sim? Por ti e ke vënë shpresën në Egjiptin për karroca lufte e për kalorës! 10 E pastaj, a thua se unë jam nisur kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa pëlqimin e Zotit? Vetë Zoti më tha: ‘Sulu kundër këtij vendi e shpartalloje!’“

11 Eliacimi, Sobna e Joaheu iu përgjigjën rabsakut: “Fol me shërbëtorët e tu aramaisht, sepse e marrim vesh këtë gjuhë e mos na fol hebraisht në praninë e popullit që është përmbi mure.” 12 Por rabsaku u përgjigj: “A thua më dërgoi zotëria im t’ia them këto fjalë zotërisë tënd dhe ty? Vallë, a jo më tepër te këta burra që rrinë përmbi mure, të cilët së shpejti do të jenë të shtrënguar bashkë me ju të hanë jashtëqitjet e veta dhe të pijnë ujët e vet?”

13 Atëherë u ngrit rabsaku e bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: “Dëgjojini fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë:

14 Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia, sepse ai s’do të mund t’ju shpëtojë! 15 Mos lejoni t’jua mbushë mendjen Ezekia ta vini shpresën tuaj në Zotin duke ju thënë: ’Me siguri do të na shpëtojë Zoti; ky qytet nuk do të bjerë në dorë të mbretit të asirianëve!’ 16 Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i asirianëve: ‘Lidhni miqësi me mua e dilni e më ndeshni, e secili prej jush do të hajë frytet e vreshtit të vet, secili fiqtë e vet dhe secili do të pijë ujët e cisternës së vet, 17 derisa të vij e t’ju marr për t’ju shpënë në një vend si i juaji, në një tokë që prodhon grurë e verë, në një vend buke e vreshtash. 18 Mos t’ju gënjejë Ezekia duke thënë: ‘Zoti do të na shpëtojë’! Pse a i shpëtuan hyjnitë pagane secila vendin e vet, nga dora e mbretit të Asirisë? 19 Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit? Vallë, a e shpëtuan Samarinë nga dora ime? 20 Cilat, prej të gjitha hyjnive të këtyre vendeve, e shpëtuan vendin e vet prej dorës sime? Pse a do ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej dorës sime?”

21 Populli heshti e s’iu përgjigj asnjë fjalë, sepse mbreti kishte urdhëruar: “Mos iu përgjigjni!”

22 Atëherë kryekujdestari i oborrit mbretëror, Eliacimi, biri i Helcisë, sekretari Sobna dhe Joaheu, biri i Asafit, si shqyen petkat, shkuan tek Ezekia dhe ia treguan fjalët e rabsakut.

Isaia: 37. Takim me Isainë

37

1 Kur dëgjoi Ezekia mbret, i shqeu petkat e veta, u mbështoll me thes dhe hyri në Shtëpinë e Zotit. 2 Atëherë dërgoi Eliacimin, kryeoborrtarin e pallatit, Sobnën, sekretarin, dhe më pleqtë ndër priftërinj, të gjithë të veshur me grathore, te profeti Isai, biri i Amosit, 3 për t’i thënë: “Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është ditë ngushtice, qortimi e turpi! Erdhi koha të lindin fëmijët, por s’ka fuqi të lindë! 4 Ndoshta Zoti, Hyji yt, do t’i dëgjojë fjalët e rabsakut, që e dërgoi zotëria i tij, mbreti i asirianëve, për ta fyer Hyjin e gjallë e do ta ndëshkojë për fjalët që do t’i ketë dëgjuar Zoti, Hyji yt. Lartësoje tashti një lutje drejt tij për Tepricën që ende ka shpëtuar gjallë!”

5 Shërbëtorët e mbretit Ezeki shkuan tek Isaia. 6 Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: Mos u tremb prej fjalëve që ke dëgjuar me të cilat blasfemuan kundër meje shërbëtorët e mbretit të Asirisë. 7 Ja se unë do t’i fryj në vesh e, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet. Do të bëj që në vendin e vet të mbetet i vrarë nga shpata.”

Largimi i rabsakut

8 Rabsaku u kthye dhe e gjeti mbretin e asirianve duke luftuar kundër Lobnës, sepse kishte dëgjuar se mbreti ishte larguar nga Lakisi, 9 pasi kishte marrë lajmin lidhur me Tarakën, mbretin e Etiopisë: “Ka dalë për të luftuar kundër teje.”

Ndërmarrja e dytë e Senakeribit kundër Jerusalemit

Kur e mori këtë lajm, dërgoi lajmëtarë tek Ezekia me këto fjalë: 10 “Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos të rrejë Hyji yt, në të cilin ti shpreson, duke të thënë: ’S’do të lëshohet Jerusalemi në duar të mbretit të asirianëve.’ 11 Ti e di se çka kanë bërë mbretërit e Asirisë me të gjitha vendet që i truan shfarosjes, e vetëm ti kujton se do të shpëtosh?! 12 A i shpëtuan hyjnitë e kombeve që i shpartalluan etërit e mi: gozanët, karranët, rezefët dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar? 13 Ku është mbreti i Ematit, mbreti i Arfadit, mbreti i qytetit të Sefarvaimit, Ana e Ava?”

14 Ezekia e mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe e lexoi. U ngjit në Shtëpinë e Zotit dhe Ezekia e shtriu para Zotit.

15 Dhe Ezekia iu lut Zotit kështu:

16 “Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, ti që rri mbi kerubinë, ti je Hyji i vetëm i të gjitha mbretërive të tokës, ti që e ke krijuar qiellin e tokën: 17 prire, o Zot, veshin tënd e dëgjo. Hapi, o Zot, sytë e tu e shih e dëgjoji të gjitha fjalët e Senakeribit që i dërgoi për të blasfemuar Hyjin e gjallë. 18 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkatërruar popujt e vendet e tyre 19 dhe ia truan zjarrit zotat e tyre: por ata nuk ishin hyjni, por vepër e duarve të njerëzve: dru e gur; këndej edhe i zhdukën. 20 Por tani, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij dhe të gjitha mbretëritë e dheut do ta marrin vesh se ti, o Zot, je i vetmi Hyj.”

Ndërhyrja e Isaisë

21 Isaia, biri i Amosit, dërgoi t’i thuhet Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ti ma drejtove një lutje në lidhje me Senakeribin, mbretin e Asirisë: 22 ja, pra, fjala që Zoti tha kundër tij:

Po të përbuz, po të vë në lojë

virgjëra, Bija e Sionit.

Pas teje po e tund kokën

Bija e Jerusalemit!

23 Po kë blasfemove, kë vure në lojë?

Kundër kujt lartësove zërin

e i ngrite sytë me krenari?

Kundër Shenjtit të Izraelit!

24 Me anë të shërbëtorëve të tu

e blasfemove Zotin.

Ti the: ‘Me mbushulli të karrocave të mia

hipa në majë të bjeshkëve,

në kreshtat e Libanit;

i preva më të lartët cedra,

bredhat më të zgjedhurit,

i dola në majë të majës,

në pyllin e tij ku s’ra kurrë sëpata!

25 Çela e piva ujin e huaj,

me gjurmë të këmbëve të mia i thava

të gjithë lumenjtë që ka Egjipti!’

26 Dëgjo këtu!

Tanisa kohë e kam synuar,

që moti e sendërgjoj

e tani dua ta sendërtoj:

të takonte ty t’i shrrënjosje,

në grumbuj gurësh t’i ktheje qytezat!

27 Banorët e tyre si dorëcunga,

mendësh u morën e u tmerruan,

ishin porsi bari i fushës,

si gjelbërimi i njomë, si bar pullazesh,

që e than era e lindjes.

28 E di kur ngrihesh e kur ulesh,

kur del e kur kthehesh

e marrëzinë tënde kundër meje.

29 Kur ti shfryje në mëri kundër meje,

krenaria jote arriti në veshët e mi,

do ta vë rrethin në hundët e tua,

edhe në gojë do ta vë frerin

e do të të kthej udhës

prej nga erdhe!

Shenja për Ezekinë

30 E kjo gjë të të shërbejë për shenjë:

Sivjet të hahet çka të mund të mblidhet,

në vitin e ardhshëm çka vetë të mbijë;

vitin e tretë mbillni e korrni,

mbillni vreshta e hajuani frutat.

31 Kush të shpëtojë prej shtëpisë së Judës

rrënjët poshtë thellë do t’i lëshojë

e lart fruta do të japë.

32 Sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica,

të Shpëtuarit nga mali i Sionit.

Këtë do ta bëjë zelli i Zotit të

gjithëpushtetshëm.

Profeci kundër Asirisë

33 Prandaj kështu thotë Zoti

në lidhje me mbretin e asirianëve:

‘Në këtë qytet ai nuk do të hyjë,

asnjë shigjetë në të s’do ta hedhë,

përballë tij as shqyt s’do të sjellë,

kundër tij llogor s’do të ngrejë.

34 Udhës prej nga erdhi andej do të kthehet

në këtë qytet ai nuk do të hyjë’‑

kështu thotë Zoti.

35 Këtë qytet do ta mbroj, do ta shpëtoj,

për nder të vetvetes

e të Davidit, shërbëtorit tim.”

Ndëshkimi i Senakeribit

36 Atëherë shkoi engjëlli i Zotit dhe i vrau në fushimin e asirianëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë vetë. Në mëngjes, kur u ngritën, ishin të gjithë kufoma!

37 Atëherë Senakeribi, mbreti i asirianëve u ngrit e shkoi. U kthye në Ninivë. 38 E ndodhi që ndërsa ai po falej në tempullin e zotit të vet Nesrokut, Adrameleku e Sarasari, bijtë e tij, e goditën me shpatë dhe ikën në vendin Ararat.

Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.

Isaia: 38. Sëmundja dhe shërimi i Ezekisë

38

1 Ndër ato ditë u sëmur Ezekia për vdekje. Isaia profet, biri i Amosit, shkoi ta shohë e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Jepi porositë e fundit familjes sate, se do të vdesësh e nuk do të jetosh.’“

2 Atëherë Ezekia u soll me fytyrë prej murit, iu lut Zotit 3 e tha: “Po të lutem, o Zot, deh të bie në mend se kam ecur në praninë tënde në besnikëri e me zemër të përsosur, se kam bërë atë që është e mirë para syve të tu.” Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.

4 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Isaisë profet: 5 “Shko e thuaji Ezekisë: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i tyt eti Davidit: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu, dhe, ja, unë po ua shtoj ditëve të tua edhe pesëmbëdhjetë vjet, 6 dhe do të të shpëtoj prej dorës së mbretit të asirianëve ty dhe këtë qytet e unë do ta mbroj këtë qytet.’ 7 Dhe ja shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta plotësojë fjalën që tha: 8 Ja, unë po bëj të kthehet hija e shkallëve për dhjetë shkallë prapa që bashkë me diell ka zbritur në orën e Akazit.” Dhe dielli u kthye dhjetë shkallë prapa nëpër shkallë që kishte zbritur.

Himni i Ezekisë

9 Kënga e Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur dhe u shërua nga sëmundja e vet:

10 “Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia

unë po shkoj në dyert e Nëntokës;

u luta për tepricën e viteve të mia.

11 Thashë: S’do ta shoh më Zotin Hyj

në tokën e të gjallëve,

nuk do të shoh më askënd

ndër banorët e kësaj bote.

12 Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje

porsi tenda e barinjve,

si vektari ma mbështolli jetën,

e prej shulit po më këput.

Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!

13 Përmbys klith deri në mëngjes,

porsi luani kështu m’i copëton të gjitha eshtrat:

prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!

14 Cicërij si dallëndyshja,

gjëmoj porsi pëllumbesha;

sytë m’u këputën lart duke shikuar!

Ndore tënde, o Zot,

se jam shumë keq!

15 Çka t’i them e ç’do të më përgjigjet?

Është puna e tij!

Do t’i jap fund krejt jetës sime

në mjerimin e shpirtit tim.

16 O Zot, në ty shpresoftë zemra ime,

u gjallëroftë shpirti im:

më shëro e më përtërij në jetë,

17 ja, sëmundja ime u kthye në shëndet!

Ti shpëtove shpirtin tim

nga gropa e asgjësimit,

sepse i hodhe pas shpinës sate

të gjitha mëkatet e mia.

18 Sepse banesa e të vdekurve nuk të

lavdëron,

Vdekja ty lavde s’të këndon;

ata që zbresin në gropë

nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.

19 I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron

siç po bëj edhe unë sot;

babai ua mëson fëmijëve

besnikërinë tënde.

20 Më shpëto, o Zot,

e ne do të të këndojmë me harpë

në të gjitha ditët e jetës sonë

në Shtëpinë e Zotit.”

21 Atëherë Isaia dha urdhër të sillet një bukëfike, t’ia vënë përmbi çiban e të shërohet. 22 Atëherë tha Ezekia: “Cila do të jetë shenja se njëmend do të mund të ngjitem në Shtëpinë e Zotit?”

Isaia: 39. Dërgata babilonase

39

1 Në atë kohë Merodak Baladani, biri

i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i dërgoi Ezekisë letër dhe dhurata, sepse kishte dëgjuar se kishte qenë i sëmurë dhe se ishte shëruar. 2 Ezekia u gëzua për këtë gjë dhe të dërguarve u dëftoi dhomën e visarit të vet, argjendin, arin, erërat e mira, vajrat e erëndshëm, arsenalin e armëve të veta, gjithçka gjendej në thesaret e tij. Ezekia nuk la asgjë që kishte në thesar e në mbretëri pa ua treguar.

3 Atëherë profeti Isai hyri te mbreti Ezeki dhe i tha: “Çka thanë këta njerëz e prej nga erdhën te ti?” Ezekia iu përgjigj: “Erdhën tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia.” 4 Isaia e pyeti: “Çka kanë parë në shtëpinë tënde?” Atëherë Ezekia u përgjigj: “Kanë parë gjithçka është në pallatin tim; s’ka asgjë në thesarin tim që nuk ua kam dëftuar.”

5 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: “Dëgjoje fjalën e Zotit të gjithëpushtetshëm: 6 Ja, po vijnë ditët e do të merret gjithçka është në pallatin tënd, gjithçka bashkuan etërit e tu deri në ditën e sotme dhe do të çohet në Babiloni; thotë Zoti: asgjë nuk do të lihet. 7 Edhe prej djemve të tu, që do të rrjedhin prej teje, që do të lindin prej teje, do të merren e do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë.” 8 Ezekia i tha Isaisë: “Qenka e mirë fjala që Zoti ta paska thënë.” E mendonte: “Së paku gjatë jetës sime do të jetë paqe e siguri.”

Isaia: 40. Thirrja e profetit

40

1 “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin

tim,

thotë Perëndia juaj!

2 Flisni zemrës së Jerusalemit,

dhe klithini atij

se mori fund skllavëria e tij,

u shpërblye paudhësia e tij,

sepse ka marrë prej dorës së Zotit

ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”

3 Një zë lëshon kushtrimin:

“Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit,

rrafshoni në stepë

shtigjet e Tenzot.

4 Le të ngritet çdo luginë,

le të ulet çdo mal e kodër,

rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë,

e rrëpira le të bëhet e rrafshtë:

5 do të zbulohet hiri i Zotit,

atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin

se ka folur goja e Zotit!”

6 Një zë kumton: “Shpall!”

Pyeta: “Çfarë të shpall?”

Çdo njeri është bar,

e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës;

7 thahet bari, vyshket lulja

kur fryma e Zotit bie mbi të.

Vërtet populli është si bari!

8 Thahet bari e bie lulja:

kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.

Lajmërim hyjdëftimi

9 Ngjitu mbi një mal të lartë,

ti që i sjell sihariqin Sionit;

ngrite me gjithë fuqi zërin tënd,

ti që i sjell sihariqin Jerusalemit!

Klith me të madhe, mos druaj,

thuaju qyteteve të Judës:

“Ja, Hyji juaj,

10 ja, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi,

zotëron krahu i tij:

ja, me të është shpagimi i tij,

e para tij shpërblimi i tij!

11 Si bariu e kullot grigjën e vet,

në dorë i merr qengjat,

n’përqafim i mbart;

i shikon me kujdes pëllejat.”

 

Madhëria e Zotit

12 Kush me grusht e ka matur ujët e detit

e me pëllëmbë përmasat e qiellit?

Kush e mati me babune pluhurin e tokës,

e i peshoi me peshore malet

dhe me kandar kodrat?

13 Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit?

Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?

14 Me kë u këshillua dhe e mësoi atë,

ia mësoi udhën e drejtësisë,

e thelloi atë në urtësi,

ia tregoi udhën e dijes?

15 Ja, popujt janë një pikë uji e kovës,

çmohen si një kokërr pluhur në peshore,

sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.

16 Libani është i vogël për turrë të druve,

fli shkrumbimi s’dalin kafshët e tij.

17 Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt,

për asgjë e kotësi Ai i mban.

18 Kë të gjeni që t’i përngjajë Hyjit?

O ç’shembëllesë mund t’i vini përbri?

19 Farkëtari e shkrin idhullin,

arëtari e përaron,

argjendari i bën vargje sermi.

20 Skamnori i madh gjen dru të pakalbshme:

kërkon për vete mjeshtër të ditur

t’ia punojë truporen e palëvizshme.

21 Pse a s’e dini? Pse a s’dëgjuat?

Pse a s’ju qe thënë që moti?

S’e dalloni Themeluesin e tokës?

22 Ai rri në fron mbi rrethin e botës,

banorët e së cilës janë porsi karkaleca;

Ai i shtrin porsi pola qiejt,

i ngreh porsi tendën për të banuar;

23 Ai i kthen në asgjë princat,

një asgjë i bën gjykatësit e dheut.

24 Janë si lëndët që posa u mbollën, posa u vunë,

posa trupi u lëshoi rrënjë në dhe:

nëse u fryn, ata thahen,

i mbart era porsi byk!

25 “Po me kë do të më krahasoni,

që të jem unë i njëjtë me të?”

pyet Shenjti.

26 Çoni lart sytë tuaj e shikoni: kush i krijoi trupat qiellorë?

‑ Ai që të gjithë i qet në rresht të luftës

e secilin e thërret për emër!

Kaq e madhe është fuqia e tij,

kaq e fortë energjia e tij

kështu që asnjë s’ka si të mungojë!

Provania e gjithëpushtetshme

27 Përse thua, o Jakob,

përse flet, o Izrael:

“Udha ime është e fshehtë për Zotin,

s’kujdeset për të drejtën time Hyji im?”

28 Pse a s’e di?

Pse a s’ke dëgjuar?

Hyji është Zot i amshueshëm,

Krijuesi i botës skaj më skaj.

Ai nuk lodhet, ai s’moliset,

e pashqyrtueshme është dija e tij.

29 Ai të lodhurit i jep fuqi,

të pamundshmit ia shton fuqitë.

30 Lodhen të rinjtë edhe meken,

marrin në thua të rriturit e rrëzohen,

31 kurse ata që shpresojnë në Zotin,

përtëriten në fuqi,

marrin krahë porsi shqiponja,

vrapojnë e nuk lodhen kurrë,

ecin edhe kurrë nuk meken.

Isaia: 41. Zoti thërret Cirin

41

1 Le të heshtin para meje ishujt,

edhe popujt le të përtërijnë fuqinë;

le të afrohen e le të flasin,

të shpejtojmë së bashku në gjyq të përballohemi!

2 Kush e ngriti prej Lindjes atë,

hapin e të cilit po e ndjek drejtësia?

Para tij po i shtron popujt,

para tij po i ul mbretërit,

shpata e tij pluhur i bën,

shigjetat e tij porsi byku kur e rrëmben era!

3 I ndjek ferrë pa i hyrë në këmbë,

thua se këmbëve u ka vënë fletë!

4 Kush e bëri dhe e sendërtoi këtë?

‑ Ai që i thërret në jetë breznitë që në fillim:

Unë jam Zoti, i pari,

po edhe me të sprasmit jam!

5 Shohin ishujt edhe dridhen,

skajet e tokës i kap tmerri,

po afrohen, ia arritën!

6 Secili e ndihmon të afërmin,

vëllait të vet i thotë: “Me guxim!”

7 Shkrirësi i jep zemër argjendarit,

lëmuesi me maj atij që rreh në kullë,

i thotë për zierjen: “Mirë është!”

dhe e forcon me gozhda

që të mos lëvizë.

Hyji është me Izraelin

8 E ti, o Izrael, shërbëtori im,

ti, o Jakob, që vetë të zgjodha,

fara e Abrahamit, mikut tim,

9 ti që të mora nga skaji i botës,

që të thirra prej viseve të largëta

e të thashë: “Ti je shërbëtori im;

unë të zgjodha e nuk të përbuza”.

10 Mos druaj se me ty jam,

mos u shmang se unë jam Hyji yt:

do të të bëj të fortë, unë do të të ndihmoj,

do të të përkrah me të djathtën e drejtësisë sime.

11 Ja, do të turpërohen e do të skuqen

të gjithë ata që hidhërohen në ty;

do të jenë si të mos ishin

e do të sharrojnë ata që të kundërshtojnë ty.

12 Do t’i kërkosh e s’do t’i gjesh

ata që grinden me ty;

do të jenë si të mos ishin, një asgjë,

ata që luftojnë kundër teje.

13 Sepse jam unë Zoti, Hyji yt,

që të marr për dore

e të them: “Mos druaj,

unë do të të ndihmoj!

14 Mos u tremb, Jakob he krimb,

o burra të Izraelit!

Unë do të të ndihmoj” ‑ thotë Zoti,

Shpëtimtari yt, Shenjti i Izraelit.

15 Ja, po të bëj trinë të re trinojëse,

që ka grremça të dhëmbëzuar;

malet do t’i trinosh, do t’i gërryesh,

pluhur kodrat do t’i bësh.

16 Do t’i terplotosh, era do t’i tretë,

vorbulla do t’i shpërndajë

e ti do të gëzohesh në Zotin,

do të galdosh në Shenjtin e Izraelit.

Mrekullitë e reja të Daljes së re

17 Skamnorët e të varfërit ujë kërkojnë,

por ujë s’ka,

gjuha e tyre nga etja u tha,

Unë, Zoti, do t’i vështroj,

unë, Hyji i Izraelit, s’do t’i braktis.

18 Lumenj do të shpërthej në kodra të shogëta,

në lugina do të pëlcasë ujët e gjallë;

Shkretëtirën kënetë do ta bëj,

tokën e thatë burime ujërash!

19 Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,

akacjen, mirtën e ullirin;

në shkretëtirë bredhin do ta mbjell,

bashkë me vidh e qiparis,

20 që të shohin e ta kuptojnë,

ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh,

se dora e Zotit këtë e bëri,

e krijoi Shenjti i Izraelit.

Zoti është Hyji i vetëm

21 Paraqiteni çështjen tuaj, thotë Zoti,

sillni, nëse keni prova të forta, thotë Mbreti i Jakobit.

22 Të afrohen e të na tregojnë ç’do të ndodhë,

na i tregoni gjërat që kaluan,

kështu që ne të mund t’i kujtojmë,

ose shpallni çfarë do të ngjasë,

që ta dimë se çka do të ndodhë!

23 Parakallëzoni çka në të ardhmen do të ndodhë,

që ta pranojmë se jeni zota!

Bëni diçka qoftë mirë qoftë zi,

që ta shohim e të mahnitemi!

24 A po shihni se jeni askushi,

vepra juaj s’vlen asgjë,

i përbuzshëm është kush ju zgjedh.

Zoti e ka parakallëzuar fitoren e Kirit

25 Unë e ngrita nga veriu

e erdhi nga Lindja e diellit;

për emër vetë atë e thirra,

porsi baltën do t’i shkelmojë të mëdhenjtë,

si vorbëtari që e shkel baltën.

26 Kush e parakallëzoi që moti që ta dinim,

që në kohë të vjetra që të mund të themi: ‘Është e vërtetë!’

Jo, s’ka lajmërues, s’ka parakallëzues,

askush s’i dëgjoi fjalët tuaja.

27 Unë i pari i thashë Sionit: “Ja, tek janë!”,

Jerusalemit ia dërgoj sihariqtarin!

28 Shikova, por s’ishte askush,

asnjë që këshillë të jepte,

askush s’ishte që të pyetej

e të mund të përgjigjej!

29 Ja, të gjithë këta janë një asgjë,

të pa farë vlere veprat e tyre:

erë e kotësi idhujt e tyre!

Isaia: 42. Kënga e parë mbi Shërbëtorin e Zotit

42

1 Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah,

i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im,

mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim:

ai do t’ua japë të drejtën popujve.

2 Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin,

zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.

3 Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar,

s’do ta ndalë as fitilin tymues

dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.

4 S’do të lodhet as nuk do të pushojë

derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë.

Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.

 

Pjesa e dytë

5 Kështu thotë Zoti Hyj

që krijon qiejt dhe ata i shtrin,

që e bën të fortë tokën e çka prej saj mbin,

që u jep frymën popujve që e banojnë,

edhe shpirtin atyre që mbi të shkelin:

6 Unë, Zoti, të thirra në drejtësi

e për dore të kam marrë;

të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit

edhe dritë për të gjithë popujt:

7 që t’ua hapësh sytë të verbërve,

që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu,

prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

8 Unë Zoti: ky është emri im;

lavdinë time tjetërkujt s’ia jap,

as nderin tim idhujve të gdhendur.

9 Ngjarjet që më parë i parakallëzova,

ja, të gjitha ndodhën,

po edhe çka do të ndodhë

para se të ndodhë, do t’ju parakallëzoj.

Kënga ngadhënjimtare

10 Këndojini Zotit një këngë të re,

lavdinë e tij prej skajeve të tokës,

le ta lavdërojë deti me gjithçka

që mban brenda,

ishujt me banorët e tyre!

11 Le ta lartësojë zërin shkretëtira

dhe qytetet e saj,

le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët,

le të brohorisin banorët e Qetës,

le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!

12 Le t’i japin nder Zotit,

lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!

13 Marshon Zoti porsi trim mbi trima,

si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin,

me britma lufte ushton zëri i tij,

ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.

14 “Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta,

qeshë i durueshëm,

tashti do të bërtas si lindësja,

do të gjëmoj, njëherësh do të turfëlloj!

15 Shkretëtirë do të bëj male e kodra,

do të përvëloj çdo blerim të tyre,

ishuj lumenjtë do t’i bëj,

kurse kënetat do t’i përthaj!

16 Do t’i bëj të verbërit të ecin udhës që s’e njohin,

shtigjeve që s’i njohin t’i bëj të kalojnë,

errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej,

udhët e shtrembëra do t’i bëj të drejta.

Fjalën që ua dhashë për ta do ta zbatoj,

e ata dore s’do t’i lëshoj!

17 Do të zmbrapsen me turp e turp

ata që shpresojnë në idhull,

ata që trupores i thonë:

‘Ju jeni zotat tanë, ’“

Verbëria e popullit

18 Dëgjoni, ore shurdhana,

o të verbër, hapni sytë e shihni!

19 Kush është i verbër porsi shërbëtori im,

i shurdhër porsi kasneci

që e dërgoj?

Kush është i verbër si kasneci im?

Kush është i verbër si shërbëtori i Zotit?

20 Pe shumë gjëra, por s’ua vure mendjen,

veshët i hape, por nuk deshe të ndiesh!

21 I pëlqeu Zotit për shkak të drejtësisë së vet

ta lartësojë e ta madhërojë Ligjin.

22 E pra ky është një popull i plaçkitur e i rrëmbyer,

të gjithë në pranga të hedhur në gropa,

të ndryer të gjithë në shtëpi burgjesh.

U bënë pre e askush s’i shpëton,

i plaçkitën e askush s’thotë: “Ktheji!”

23 Por kush prej jush ia vë veshin kësaj?

Kush kujdeset e dëgjon për të ardhmen?

24 Kush e lëshoi Jakobin pre të bëhet,

e Izraelin kush ia dorëzoi cubave?

Vallë a jo Zoti, kundër të cilit mëkatuam?

Udhës së të cilit s’deshën të ecin

dhe s’ia zbatuan Ligjin e tij.

25 Mbi ta e zbrazi zemërimin e hidhërimit të vet

edhe tmerrin e luftës së fortë.

Gjithkah përreth e rrethoi zjarri

por as këtë ai s’e kuptoi;

e përpiu flaka, porse vesh s’e mori!

Isaia: 43. Çlirimi i Izraelit

43

1 Tashti kështu thotë Zotynë

që të krijoi ty, o Jakob,

që të trajtoi ty, o Izrael:

“Mos u tremb se unë të shpërbleva,

e të thirra me emrin tënd,

ti je imi!

2 Përmbi ujëra kur të kalosh, me ty do të jem,

lumenjtë mbi ty nuk do të vërshojnë;

nëpër zjarr kur të kalosh, nuk do të digjesh,

flaka ty nuk do të të djegë,

3 sepse unë Zoti, Hyji yt,

Shenjti i Izraelit, Shpëtimtar:

për shpërblimin tënd jap Egjiptin,

në vend tënd jap Etiopinë e Sabën.

4 Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi,

dhe i lavdishëm; unë të dua,

i jap njerëzit në vend tënd,

popujt për jetën tënde.

5 Mos u tremb: unë jam me ty:

farën tënde do ta kthej prej Lindjes

prej perëndimit do të të bashkoj.

6 Veriut unë do t’i them: ‘Ma jep!’

e jugut: ‘Mos e mbaj!’

silli bijtë e mi prej së largu,

bijat e mia prej skajeve të tokës!

7 Secilin që thirret në emrin tim;

që e krijova për nderin tim,

që e ndërtova edhe e trajtova.”

Zoti është Hyji i vetëm

8 hidhe jashtë popullin e verbër,

e pra sytë i ka,

popullin e shurdhër e pra veshët i ka.

9 Të gjithë popujt le të mblidhen së bashku

le të bashkohen të gjitha fiset:

e le të tubohen popujt

kush ndër to mund t’i shpallë këto

që t’i dimë para se të ndodhin?

Të sjellin dëshmitarët e vet

e do t’u japim arsye,

që të dëgjohet e të thuhet:

‘Është e vërtetë!’

10 Porse ju më jeni dëshmitarë,

kështu flet Zoti ‑

shërbëtorët e mi që unë ju zgjodha,

që ta dini e të më besoni,

ta kuptoni se jam i tillë:

para meje hyjni s’ka pasur,

as pas meje një tjetër s’do të ketë!

11 Unë, e vetëm unë jam Zot,

përveç meje Shëlbues tjetër s’ka!

12 Unë parakallëzova dhe shëlbova;

bëra të dëgjohem

e mes jush hyjni të huaj s’pati.

Ju më jeni dëshmitarë ‑ thotë Zoti ‑

dhe unë jam Hyj,

13 gjithmonë i tillë që prejamshimit.

Askush s’shpëton nga dora ime,

çka bëj unë kush mund ta shndërrojë?

Shpartallimi i Babilonit

14 Kështu thotë Zoti, Shpëtimtari juaj,

Shenjti i Izraelit:

“Për dashuri tuaj po dërgoj në Babilon,

do t’i mposht ata që ua mbathin këmbëve,

edhe kaldenjtë që mburren në anije.

15 Unë jam Zoti, Shenjti juaj,

Krijuesi i Izraelit, mbreti juaj.”

Mrekullitë e Daljes së re

16 Kështu thotë Zoti

që rrugë hapi nëpër det,

shteg kalimi në ujëra të tmerrshme;

17 që bëri të dalin karroca e kuaj,

ushtri e kreshnikë së bashku;

rrah ranë vdekur, kurrë më s’ngrihen,

u fikën si fitili, u shqimën.

18 Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara,

mos mendoni për çka ka kaluar,

19 ja, po bëj një gjë të re:

tani po lind! A s’po e shihni?

Ja, po hap udhën në shkretëtirë,

e shtigje në vend të shkretë,

20 egërsirat do të më japin lavdi

çakajt edhe strucat,

se u dhurova ujë në shkretëtirë,

lumenj në vend të shkretë,

që t’i jap ujë popullit, të zgjedhurit tim,

21 popullit që e trajtova për vete

e që mua do të më japë lavdi.

Mosmirënjohja e Izraelit

22 Kurse ti nuk më thirre në ndihmë, Jakob,

madje më pate inat, o Izrael!

23 S’më kushtove qengja fli shkrumbimi,

me fli të tua nuk më nderove.

Nuk të mërzita me kërkesa flish,

as nuk të lodha me kërkesa kemi.

24 Për mua s’bleve kallam të erëndshëm,

nuk më dehe me dhjamë flish të tua.

Përkundrazi, më mërzite me mëkatet e tua,

më lodhe me keqbërësitë e tua.

25 Unë, unë vetë i shlyej fajet e tua,

për nder tim s’i kujtoj mëkatet e tua.

26 Më përkujto se gjyq do të kemi së bashku,

fol e përligj vetveten!

27 Babai yt i pari mëkatoi,

ndërmjetësit e tu u çuan kundër meje,

28 atëherë i çnderova prijësit e Shenjtërores,

Jakobin ia trova shkatërrimit,

lashë të poshtërohet Izraeli.

Isaia: 44. Bekimi i Izraelit

44

1 E tani dëgjo, Jakob, shërbëtori im,

ti, o Izrael, i zgjedhuri im!

2 Kështu thotë Zoti që të krijoi,

që të dha trajtë që në kraharor,

Ndihmëtari yt:

“Mos ki frikë, shërbëtori im Jakob,

i dashuri im që vetë të kam zgjedhur.

3 Do të dikoj ujëra mbi tokë të etshme,

përrenj përmbi tokë të thatë;

shpirtin tim do ta dikoj mbi farën tënde,

bekimin tim mbi pasardhësit e tu:

4 do të rriten si bari bri burimit,

porsi shelgjet pranë ujit që rrjedh.

5 Njëri do të thotë: ‘I Zotit jam unë!’,

Jakob tjetri do ta quajë veten.

Prapë një tjetër do të shkruajë me dorë të vet:

‘Jam i Zotit!’ e do të quhet

me emër Izrael!”

Monoteizëm absolut

6 Kështu thotë Zoti, Mbreti i Izraelit,

Shpëtimtari i tij, Hyji i Ushtrive:

“Unë jam i pari dhe unë i sprasmi,

përveç meje Hyj tjetër nuk ka!

7 Kush është porsi unë?

le të dalë përpara e le të thotë,

të ma shtjellojë!

Kush e parakallëzoi të ardhmen prej kohëve të lashta?

Le të na lajmërojë se ç’do të ndodhë!

8 Mos u trembni as mos u hutoni,

vallë, a s’jua lajmërova e s’jua zbulova që moti?

Ju jeni dëshmitarët e mi!

Pse a ka Hyj përveç meje?

Jo, s’ka Qetë që unë do ta njihja!”

Përqeshje e idhujtarisë

9 Të gjithë punuesit e idhujve janë një asgjë dhe veprat e tyre të çmueshme nuk do t’u vlejnë asgjë. Dëshmitarët e tyre nuk shohin as nuk marrin vesh që t’i mbulojë turpi. 10 Kush punoi ndonjë idhull e shkriu ndonjë trupore e nuk kërkon fitesë? 11 Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar. Vetë punuesit e tyre s’janë veçse njerëz. Le të bashkohen të gjithë e le të dalin përpara: do të tremben e do të marrosen njëherësh.

12 Farkëtari e punon sakicën në prush, me çekiç i jep trajtën, me dorë të fuqishme e trajton; pëson uri, fuqia i lodhet, ujë nuk pi dhe lodhet e këputet. 13 Gdhendësi në dru e shtrin gjedhen, e shënon atë me thumbat e punon pastaj atë me dalta e me përgjel dhe trajton një fytyrë njeriu, një figurë të bukur njeriu për ta vënë në tempull. 14 Pret për vete cedrat, merr një ilqe ose një lis që qëndronin mes lëndëve të pyllit; ose ka mbjellë një pishë që e ushqen shiu. 15 Këto janë bërë që njeriu t’i djegë; i merr njeriu ndonjë prej tyre për t’u ngrohur, i ndez dhe pjek bukë. Por, prej tyre punon zotin dhe e adhuron, punon një trupore e bie përmbys para saj! 16 Gjysmën e saj e djeg në zjarr, mbi prush pjek mishin, ha mishin e pjekur e kënaqet, nxehet e thotë: ‘Oh bre, ç’u ngroha, u kënaqa bri zjarrit!’ 17 Kurse me tepricën e saj punoi zotin, trupore për vete; bie përmbys para saj dhe e adhuron dhe i lutet duke thënë: ‘Më shpëto, sepse je zoti im!’

18 Gjë nuk dinë as nuk kuptojnë: sytë u janë verbuar që të mos shohin, edhe zemra që të mos kuptojnë. 19 Të tillët nuk mendojnë me mendjen e vet, u mungon dija dhe kuptimi që të thonë: “Me gjysmën e këtij druri e kam ndezur zjarrin dhe poqa mbi prushin e saj bukën, poqa mishin dhe hëngra, po a thua prej gjysmës tjetër do të punoj këtë turp? Do bie përmbys para cungut të drusë?”

20 Ushqehet me hi; e tradhtoi zemra e gabuar, nuk di të librohet e të thotë: “Po a nuk është një gjë e rreme kjo që mbaj në dorë?”

Besnikëri ndaj Zotit

21 Kujtoje këtë gjë, Jakob,

edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!

Unë të kam trajtuar, je shërbëtori im,

o Izrael, ti nuk do të më gënjesh!

22 I kam humbur porsi renë fajet e tua,

porsi mjegullën mëkatet e tua,

kthehu tek unë,

sepse të kam shpërblyer.

Këngë hareje

23 Galdoni, o qiej, sepse Zoti e bëri këtë gjë,

gëzohuni, thellësitë e tokës,

thuajani këngës së lavdit, o male,

edhe ju, o pyje, me të gjithë drurët tuaj,

sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

në Izrael e dëftoi lavdinë e vet!

Fuqia hyjnore

24 Kështu thotë Zoti, Shëlbuesi yt,

Ai që të trajtoi në kraharorin e nënës:

Unë jam Zoti, Krijuesi i gjithësisë,

Ai që i vetëm i shtriu qiejt,

dhe e rrafshova tokën! Kush qe me mua?

25 I asgjësoj shenjat e shortarëve,

magjistarët i bëj të marrë,

i shtrëngoj të dijshmit që të tërhiqen,

në marrëzi e shndërroj dijen e tyre,

26 por e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim

dhe i plotësoj synimet e kasnecëve të mi.

Unë i them Jerusalemit: “Mbushu me banorë!”,

dhe qyteteve të Judës: “Ndërtohuni!”

e rrënojat e tij do t’i ndërtoj.

27 Unë i them detit: “Shkretohu,

lumenjtë e tu unë do t’i thaj!”

28 Unë them për Cirin: “Bariu im është,

gjithçka unë dua ai do ta çojë në vend!” 

Unë i them Jerusalemit: “Ndërtohu!”,

i them Faltores: “Prej themelesh do të ndërtohesh!”

Isaia: 45. Ciri, vegël e Hyjit

45

1 Kështu thotë Zoti për Cirin,

të shuguruarin e vet:

“Ia kapa të djathtën e tij

për t’i shtruar para tij popujt,

për t’i vënë në arrati mbretërit,

për t’i hapur para tij dyert;

edhe dyert para tij s’do të mbyllen.

2 Para teje unë do të ec,

malet do t’i rrafshoj,

dyert e bronzta do t’i thyej,

shulat e hekurt do t’i copëtoj.

3 Do t’i jap thesaret e fshehta,

pasuritë mirë të fshehura

që ta dish se unë jam Zoti,

Hyji i Izraelit, që të thirra me emër.

4 Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit

e të Izraelit, të të zgjedhurit tim,

të thirra ty me emrin tënd,

të shënova megjithëse s’më njihje.

5 Unë jam Zot e tjetër s’ka:

përveç meje Hyj tjetër nuk ka!

Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje

6 që të dihet prej lindjes në perëndim,

se pos meje, askush tjetër s’është.”

Profecia e shëlbimit

Unë jam Zot e tjetër s’ka!

7 I jap trajtë dritës e krijoj terrin,

sjell mirëqenien, shkaktoj fatkeqësinë:

unë, Zoti, i bëj të gjitha këto!

8 Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni

edhe retë le të rigojnë drejtësinë;

le të hapet toka

e le ta lindë Shëlbuesin,

bashkë me të të lulëzojë drejtësia!

Unë, Zoti, gjithçka krijova!

Zoti i gjithëpushtetshëm

9 Vaj për atë që i kundërshton Krijuesit të vet,

një copëz prej enëve të thyeshme prej dheu!

Pse a i thotë vorbëtarit balta: “Ç’po bën?”

e “Puna jote s’është vepër dore!”

10 Vaj për atë që i thotë babait: “Pse linde?”

ose gruas: “Përse linde?”

11 Kështu thotë Zoti,

Shenjti i Izraelit,

ai që e trajtoi:

“A ju përket të më pyetni mbi të ardhmen e bijve të mi,

e të më urdhëroni mbi veprën e duarve të mia?

12 Unë jam Krijuesi i tokës

dhe mbi të njeriun e krijova;

duart e mia qiejt i shtrinë,

i urdhëroj të gjithë ushtrisë së tyre.

13 Unë e ngrita që të bëjë drejtësi,

do t’ia drejtoj të gjitha udhët e tij.

Ai do ta ndërtojë qytetin tim,

të skllavëruarit e mi ai do t’i kthejë

pa shpërblim e pa dhurata. ”,

thotë Zoti i gjithëpushtetshëm.

Kthimi i paganëve

14 Kështu thotë Zoti:

“Bujqit e Egjiptit e tregtia e Etiopisë

e trimat e mëdhenj të Sabaimit

te ti do të kalojnë e të tutë do të jenë;

pas teje do të vijnë,

të mbërthyer në pranga do të ecin

e do të të adhurojnë

dhe ty do të të luten:

vetëm te ti është Hyji

dhe jashtë Teje, Hyj nuk ka!

15 Vërtet ti je Hyj i fshehur,

Hyji i Izraelit, Shpëtimtar!

16 Mendsh u morën e u skuqën të gjithë;

po, të turpëruar shkojnë

ata që punojnë trupore idhujsh.

17 Izraeli është i shëlbuar nga Zoti

me shëlbim të përhershëm:

nuk do të çnderoheni as s’do të turpëroheni

deri në shekuj të shekujve.”

Qartësia e veprave të Zotit

18 Sepse kështu thotë Zoti,

ai që krijoi qiellin, vetë Hyji,

ai që i dha trajtë tokës, e krijoi,

ai që e bëri të patrandshme;

s’e krijoi të jetë e shkretë

e krijoi që të banohet:

“Unë jam Hyji e tjetër s’ka!

19 Unë nuk fola në fshehtësi,

në një skaj të errët të tokës,

nuk i thashë farës së Jakobit:

Më kërkoni në shkretëtirë!”,

unë jam Zoti që flas të drejtën,

e që e shpall drejtësinë.

Zoti është Hyji i gjithmbarshëm

20 Mblidhuni, ejani e afrohuni së bashku

ju që shpëtuat nga paganët.

Mangut janë në kokë ata që mbartin drunë e gdhendur

e i luten hyjit që s’mund t’i shpëtojë.

21 Qitni provat e dilni përballë,

këshillohuni të gjithë së bashku!

Kush që moti këtë gjë e parakallëzoi

e që atëherë e paralajmëroi?

Vallë, a jo unë Hyji,

s’ka hyj tjetër përpos meje?

Hyj të drejtë e Shpëtimtar s’ka tjetër përveç meje!

22 Kthehuni kah unë e do të shpëtoni,

të gjitha viset e tokës,

se unë jam Hyj e tjetër s’ka!

23 Me vetvete unë jam përbetuar:

nga goja ime del e drejta,

fjala që kurrë s’kthehet dalë ‑

para meje çdo gju do të përkulet,

e çdo gjuhë do të bëjë betim,

24 e do të thotë:

vetëm në Zotin ka drejtësi e forcë!

Tek Ai do të vijnë të turpëruar

të gjithë që shfryejnë kundër tij:

25 në Zotin do të shfajësohet e do të gjejë lavdi

fara mbarë e Izraelit.

Isaia: 46. Rënia e Babilonit

46

1 Ra Beli, rrënojë u bë Naboja!

Idhujt e tyre janë mbi kafshë e bagëti,

ngarkuar si barrë mbi shpinë truporet

peshë kjo që të lodh!

2 Bien, të gjithë së bashku rrëzohen;

s’mund t’i shpëtojnë ata që i mbartin,

por edhe vetë në skllavëri po shkojnë!

3 Më dëgjoni, shtëpia e Jakobit,

mbarë Teprica e shtëpisë së Izraelit,

juve që ju mbarta që nga kraharori i nënës,

që ju mbarta që kur lindët!

4 Derisa të plakeni unë s’do të ndërroj,

do t’ju mbart derisa të thinjeni!

Kështu kam bërë; prapë do t’ju mbart,

unë do t’ju mbart e do t’ju shpëtoj.

Zoti është i pakrahasueshëm

5 Me kë më bëni të ngjashëm e më barazoni,

më krahasoni që të jemi të njëjtë?

6 Nga kuleta e nxjerrin arin,

në peshore masin argjendin,

paguajnë mjeshtrin që t’ua punojë hyjin,

i bien para dhe eardhurojnë.

7 E vënë në krah edhe e mbartin

dhe e vendosin në vend të vet.

Aty qëndron, s’luan vendit të vet;

nëse e thërrasin në ndihmë, s’përgjigjet,

nga ngushtica askënd nuk shpëton!

Zoti është Zotëruesi i të ardhmes

8 Kujtojeni këtë e tranduni,

vritni mendjen, o njerëz që e latë udhën,

9 t’ju bjerë në mend koha e shkuar,

se unë jam Hyj, tjetër zot s’ka,

s’ka një tjetër që më ngjan mua!

10 Prej fillimit lajmëroj çka do të ndodhë,

prej kohësh të lashta çka ende s’ka ngjarë;

unë them: ‘Synimi im do të sendërtohet,

bëj gjithçka sipas dashjes sime.’

11 Thërras nga lindja shpendin grabitqar,

nga një vend i largët njeriun e synimit tim:

e kam thënë e do ta sjell,

kam urdhëruar e do ta bëj!

12 Më dëgjoni, ore kokëfortë,

ju që jeni larg drejtësisë!

13 Drejtësinë time e kam afruar,

s’do të vonojë,

s’do të zgjasë të vijë shpëtimi im:

shëlbimin do ta vë në Sion,

lavdinë time në Izrael!”

Isaia: 47. Vajtim mbi Babilonin

47

1 Zbrit, në pluhur ulu,

o virgjër, bija e Babilonit!

Ulu përtokë, pa fron,

bija e kaldenjve!

Sepse më nuk do të quhesh:

‘E butë dhe eëmbël!’

2 Merre mokrën, bluaje miellin,

hiqe velin, çoji kindet e petkut,

zbuloji këmbët,

kalo lumin!

3 Le të zbulohet lakuriqësia jote,

le të shihet turpi yt!

Do të hakmerrem,

askënd s’do të fal!

4 Thotë Shpëtimtari ynë,

emri i tij Zoti i Ushtrive,

Shenjti i Izraelit:

5 Rri në heshtje, tërhiqu në terr,

bija e kaldenjve,

sepse më nuk do të quhesh

Zonja e mbretërive!

6 Zemëruar isha kundër popullit tim,

çnderuar e kisha trashëgimin tim

i pata lëshuar në duart e tua

e ti për ta nuk pate mëshirë,

përmbi pleq e rëndove

zgjedhën tënde tepër të rëndë

7 e the: ‘Zonjë do të jem

unë përgjithmonë!’

Për këtë gjë mendjen s’e lodhe

as s’e kujtove fundin tënd.

8 Dëgjo këtu, moj e shfrenuar

që rri mbështetur pa kujdes

që të thotë mendja:

‘Unë, përveç meje tjetër s’ka!

E vejë s’do të mbetem!

Fëmijësh s’do të shuhem!’

9 Pikërisht këto të dyja do të të gjejnë,

papritmas e në një ditë të vetme

shfarosja edhe vejëria,

papritmas do të bien mbi ty

për shkak të shumësisë së magjive të tua,

për shkak të një morie shitimesh të tua!

10 Shpresove në paudhësinë tënde

e the: ‘Askush s’më sheh’.

Urtia e dija jote

të bënë t’i marrësh udhët e mbrapshta.

E pra thoje në zemrën tënde:

‘Si unë askush tjetër!’

11 Do të të gjejë një e keqe

që s’mund ta pritësh;

mbi ty do të sulet një fatkeqësi

që s’do të mund ta ndalësh;

do të bjerë mbi ty një e ligë papritmas

që kahin nuk do t’ia dish.

12 Qëndro, pra, në shortitë e tua,

në begatinë e magjive të tua,

për të cilat u mundove që prejrinisë sate!

Ndoshta do të të vlejnë,

ndoshta do të mund të shtiesh frikë!

13 Të lodhën këshilltarët e tu të shumtë.

Le të dalin që të të shpëtojnë ata që masin qiellin,

ata që i vëzhgojnë trupat qiellorë

e që të parakallëzojnë për çdo hënë të re

çka ty do të të ndodhë!

14 Ja, ata janë porsi byku,

i dogji zjarri!

As vetveten s’do ta shpëtojnë dot

nga flaka e zjarrit!

S’mbeti prush për t’u ngrohur,

as zjarr përbri të cilit mund të rrihet!

15 Të tillë janë shortarët e tu,

për të cilët aq kujdes dëftove

që prejrinisë sate!

Secili gabon për llogari të vet,

ty askush nuk do të të shpëtojë!

Isaia: 48. Zoti Zotëruesi i vetëm i të ardhmes

48

1 Dëgjojeni këtë, shtëpia e Jakobit,

ju që thirreni në emër të Izraelit,

ju që dolët nga burimi i Judës.

Ju që përbeheni në emër të Zotit,

që e thirrni Hyjin e Izraelit,

por pa çiltëri e drejtësi:

2‑sepse quhen: ‘Ata të Qytetit të Shenjtë’

dhe mbështeten mbi Hyjin e Izraelit,

që e ka emrin Zoti i Ushtrive ‑

3 Ngjarjet e kaluara i lajmërova qëmoti,

ato dolën nga goja ime

dhe bëra që të dëgjohen.

Papritmas veprova e ngjanë.

4 E dija se ti je kokëfortë

se zverku yt është thupër hekuri

e se ballin e ke të bronztë.

5 Që atëherë unë t’i parakallëzova,

t’i lajmërova para se të ndodhnin,

që të mos thuash:’Idhulli im e bëri këtë gjë,

truporja e gdhendur e shtatorja e shkrirë

e dhanë këtë urdhër.’

6 I dëgjove parakallëzimet,

shihi pra se u plotësuan!

Pse, vallë, nuk e pranon?

E tashti do të bëj të dëgjosh të reja,

lënë të fshehta, që nuk i njihje.

7 Këto tashti u krijuan e jo qëmoti,

para ditës së sotme, s’ke dëgjuar për to

që të mos thuash: ‘Ja, e dija!’

8 Jo, as s’dëgjove, as nuk dite,

as veshi yt s’qe i hapur që atëherë,

sepse e di se vërtet je i prishur

dhe se quhesh:’Kryengritës nga barku i nënës’.

9 Për nder të emrit tim e përmbajta

zemërimin,

për lavdi time e frenova vetveten

që të mos të qes fare.

10 Ja, të shkriva e të kullova porsi argjendin,

të provova në furrën e skamit.

11 Për nderin tim, për nderin tim e bëj këtë

që të mos shahem;

lavdinë time një tjetri s’ia jap!

Ciri është i dashuri i Zotit

12 Më dëgjo, Jakob,

Izrael, që të kam thirrur:

unë, unë jam i pari

edhe unë jam i fundit!

13 Dora ime e themeloi tokën,

e djathta ime i shtrin qiejt;

unë vetëm i thërras,

e njëherësh më vijnë përpara!

14 Bashkohuni të gjithë edhe dëgjoni:

cili prej tyre i ka paralajmëruar këto?

Zoti e deshi atë:

do të bëj vullnetin e Zotit kundër Babilonit

do të jetë krahu i tij kundër kaldenjve.

15 Unë, unë fola dhe e thirra,

e bëra të vijë, mbarë do të shkojë ndërmarrja e tij.

16 Afrohuni tek unë e dëgjoni:

Unë askurrë, që në fillim, nuk fola fshehtazi,

që moti, para se të ndodhë, isha aty:

e tani Zoti Hyj më dërgoi me Shpirtin e vet!

Synimet e Zotit me Izraelin

17 Kështu thotë Zoti, Shpërblyesi yt,

Shenjti i Izraelit:

Unë jam Zoti, Hyji yt,

që të mësoj për të mirën tënde,

të drejtoj të shkosh udhës që ecën.

18 Oh, sikur të kishe pasur kujdes për

urdhërimet e mia!

Do të kishte qenë si lumi mirëqenia jote,

kurse drejtësia jote, porsi valët e detit!

19 Fara jote do të kishte qenë si rëra,

bami i barkut tënd si kokrrat e saj;

emri i tij nuk do të ishte shuar,

s’do të ishte shlyer kurrë përpara meje!

Kënga e daljes nga Babiloni

20 Dilni nga Babiloni, ikni nga kaldenjtë!

Lajmëroni me zë gëzimi,

bëni ta dëgjojnë këtë,

të merret vesh deri në skaj të dheut!

Thoni:’E shpërbleu Zoti shërbëtorin e vet, Jakobin!’

21 S’pësuan etje kur nëpër shkretëtirë u

printe:

bëri prej shkëmbi t’u rridhte ujët,

e plasi shkëmbin e rrodhi ujët!

22 S’ka paqe për të patenzonë ‑ thotë Zoti!

Isaia: 49. Kënga e dytë mbi Shërbëtorin e Zotit

49

1 Më dëgjoni, o ishuj,

vështroni me kujdes, popuj të largët:

Zoti më thirri prej prehrit të nënës,

prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.

2 Gojën time e bëri shpatë të mprehtë,

më mbrojti nën hijen e dorës së vet,

më bëri shigjetë të zgjedhur

e më fshehu në kukurrën e vet

3 dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael,

në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”

4 E unë thashë: “Kot u mundova,

më kot forcat i treta të miat!

Megjithatë, e drejta ime është me Zotin,

shpërblimi im është te Hyji im.”

5 E tani thotë Zoti që më trajtoi

që nga kraharori shërbëtor për vete,

për t’ia kthyer Jakobin Atij,

për ta mbledhur rreth tij Izraelin.

U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit,

Hyji im u bë fuqia ime.

6 Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor

për t’i rilindur fiset e Jakobit,

për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit:

por të caktoj të jesh drita e popujve

që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”

Riatdhesimi me nder

7 Kështu i thotë Zoti,

Shpërblyesi i Izraelit, Shenjti i tij,

atij që e përbuzën,

atij që inat e kanë popujt,

skllavit të tiranëve:

“Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë,

gjithashtu princat e do të bien përmbys,

për shkak të Zotit që është besnik,

të Shenjtit të Izraelit që ty të zgjodhi!”

8 Kështu thotë Zoti:

Në kohën e volitshme të kam vështruar,

të ndihmova ditën e shpëtimit;

të ruajta e të caktova të jesh

besëlidhja e popullit,

që ta ripërtëritësh vendin

e t’i rindash trashëgimet e shkretuara,

9 që t’u thuash të burgosurve: “Dilni!”

e atyre që janë në terr: “Ejani në dritë!”

Do të kullotin afër udhëve,

kullota e tyre mbi çdo kodër të shogët.

10 S’do të sprovojnë uri as etje,

s’do t’i mundojë vapa as dielli,

pse do t’u prijë Ai që ka mëshirë për ta

dhe do t’i mrizojë ndër gurra të freskëta.

11 Të gjitha malet e mia udhë unë do t’i bëj,

rrugët e mia do të lartësohen.

12 Ja, këta po vijnë prej së largu,

kurse këta nga veriu e përendimi,

këta të tjerët prej dheut të Sinimit.

13 Gëzo, o qiell, galdo, o tokë,

lavde, o male, ju këndoni,

sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet,

po ka mëshirë për varfanjakët e vet!

14 Tha Sioni: “Zoti më la,

më harroi Zoti!”

15 E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet,

që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet?

Po edhe nëse ndonjëra do të harronte,

unë ty kurrë nuk të harroj!

16 Shih, të kam shkruar në duart e mia,

muret e tua gjithmonë para sysh i kam.

17 Rindërtuesit e tu po vrapojnë,

rrënuesit e shkatërruesit po ikin prej teje.

18 Çoji përreth sytë e tu e shiko,

të gjithë po bashkohen e po vijnë te ti!

“Pasha jetën time ‑ është fjala e Zotit ‑

të gjithë këta do t’i veshësh si stoli,

porsi nusja do të ngjeshesh me ta!”

19 Po se rrënojat e tua, shkatërrimet e tua,

o vend i përmbysur:

tashti i ngushtë do të jesh për banorët

edhe kur këmbëve t’ua mbathin

ata që të përpinin!

20 Përsëri do të të thonë në veshë

bijtë që t’i kishin rrëmbyer:

“Tepër i ngushtë është ky vend për mua,

më bëj vend që të mund të banoj!”

21 Atëherë ti do të thuash në zemër:

“Po këta prej kujt më lindën?

Isha e rrëmbyer e barkshuar,

e humbur dhe e robëruar?

Po këta kush i rriti?

Ja, unë isha e lënë vetëm,

këta atëherë në ç’vend ishin?”

22 Kështu thotë Zoti Perëndi:

Ja, drejt popujve do ta lartësoj dorën time,

drejt fiseve do ta lartësoj flamurin tim,

n’përqafim do t’i sjellin bijtë e tu,

bijat e tua do t’i mbajnë mbi supe.

23 Mbretërit do të jenë kujdestarët e tu,

princeshat mëndeshat e tua.

Me fytyrë për dhe do të të përkulen,

do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua!

Atëherë do ta dish se unë jam Zot:

s’do të turpërohen, jo

ata që shpresojnë në mua.

24 Vallë, a mund t’i merret preja të fortit,

o të shpëtojë ç’shtiu në dorë i forti?

25 Sepse kështu thotë Zoti:

E pra, nga i forti do të merret robi,

e ç’u shtie në dorë prej të fortit,

do të çlirohet!

Paditësit e tu unë do t’i përballoj,

bijtë e tu unë do t’i shpëtoj!

26 Të hanë mishin e vet do t’i bëj ndrydhësit e tu,

si me musht do të dehen me gjak të vet.

Atëherë çdo njeri do ta kuptojë

se unë jam Zoti, Shëlbuesi yt,

Ai që të shpërblen, i Pamposhturi i Jakobit!

Isaia: 50. Zoti s’e mohon shëlbimin

50

1 Kështu thotë Zoti:

“Ku është letra e ndarjes e nënës suaj,

me të cilën e paskam dëbuar?

Ose, cilit huadhënësi tim ju shita?

Për shkak të fajësisë suaj qetë shitur,

për shkak të paudhësive tuaja

qe dëbuar nëna juaj!

2 Përse kur erdha nuk ishte askush,

kur thirra, askush s’përgjigjej?

Pse a u shkurtua dora ime

që të mos mund të shpërblej?

Më mungon fuqia për të çliruar?

E pra, me një kërcënim unë e thaj detin,

të shterin unë i bëj lumenjtë;

ngordhin peshqit e tyre pse mbetur pa ujë

i mbyt etja!

3 E vesh qiellin në të zi

e për mbulesë i vë grathoren!”

Kënga e tretë mbi Shërbëtorin e Zotit

A. Shërbëtori flet

4 Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur

që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin.

Çdo mëngjes veshin ma zgjon

që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi.

5 Zoti Hyj ma hapi veshin,

s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa.

6 Shpinën ua solla atyre që më rrahnin,

mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën:

fytyrën time nuk e largova

nga të sharat e pështymat.

7 Zoti Hyj është ndihmëtari im,

këndej edhe s’jam i tronditur,

prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi

pse e di se s’do të mbetem i turpëruar.

8 Afër e kam atë që ma jep të drejtën,

kush guxon të shtyhet në gjyq me mua?

Le të dalim përballë njëri‑tjetrit!

Kush është kundërshtari im?

Le të më dalë përballë!

9 Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im,

kush është ai që do të më dënojë?

Të gjithë ata do të brishen si petku,

tenja do t’i brejë!

B. Qortim për t’i përngjarë Shërbëtorit

10 A është ndër ju ndokush që e druan Zotin,

që e dëgjon zërin e Shërbëtorit të Tij?

Kush ecën në errësirë

e nuk ka dritë,

le të shpresojë në Emrin e Zotit

dhe le të mbështetet në Hyjin e vet!

11 E ju të gjithë që ndezni zjarr,

të rrethuar me shigjeta.

Shkoni në flakën e zjarrit tuaj,

në shigjetat që u dhatë zjarr.

Dora ime do t’jua bëjë këtë,

shtrati juaj do të jetë dhimbjesh!

Isaia: 51. Shpëtimi i bijve të Abrahamit

51

1 Më dëgjoni ju që ndiqni drejtësinë,

ju që kërkoni Zotin,

shikojeni qetën nga qetë prerë

dhe gropën e humnerës nga qetë nxjerrë!

2 Shikojeni Abrahamin, atin tuaj,

edhe Sarën që ju lindi!

Ishte, njëmend, i vetëm kur e thirra,

por e bekova dhe e shtova!

3 Sepse Zoti e ngushëllon Sionin,

i ngushëllon të gjitha rrënojat e tij;

shkretëtirën e tij e shndërron në Eden,

djerrinën e tij në Kopsht të Zotit!

Brohoritja e galdimi do të jehojnë në të,

falënderimet e këngët e lavdisë!

Zoti do ta gjykojë botën

4 Më dëgjoni me kujdes, o populli im,

veshin ma vini, o popuj!

Sepse prej meje do të dalë Ligji

të drejtën time do ta bëj dritë për popuj!

5 Afër është drejtësia ime,

arriti shëlbimi im!

Krahu im do t’i gjykojë popujt,

në mua shpresën do ta vënë ishujt

do të shpresojnë në krahun tim.

6 Lart në qiell lartësoni sytë tuaj

dhe shikoni poshtë në tokë!

Sepse qiejt do të zhduken si tymi,

toka do të vjetrohet si petku,

banorët e saj të gjithë si ajo do të mbarojnë.

Por shpëtimi im do të qëndrojë deri në amshim,

drejtësia ime do të jetë e pafund!

7 Më dëgjoni ju që e njihni të drejtën,

ti, o popull, që ma ke në zemër Ligjin:

mos e druani përqeshjen e njerëzve,

mos u trembni nga fyerjet e tyre!

8 Sepse tenja do t’i brejë si petkun,

porsi leshin krimbi do t’i brejë;

kurse drejtësia ime do të qëndrojë gjithherë,

shëlbimi im brezni më brezni.

Zgjimi i Zotit

9 Zgjohu, zgjohu, ngjeshe forcën,

o krahu i Zotit!

Zgjohu porsi në ditët e moçme,

në breznitë shekullore!

Vallë, ti a nuk e godite Rahabin,

a s’e plagose dragoin?

10 Pse a nuk qe ti ai që e thau detin,

ujët e Humnerës së tmerrshme,

ti që e bëre fundin e detit udhë

që nëpër të të kalonin të çliruarit?

11 Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen

e do të arrijnë në Sion duke kënduar,

lumturia e përhershme do të jetë mbi kokë të tyre,

do t’i përcjellë gëzimi e hareja,

do të zhduken dhimbjet e rënkimet!

Zoti është Ngushëlluesi i gjithëpushtetshëm

12 Unë, unë jam Ngushëlluesi juaj!

Kush je ti që të trembesh nga njeriu i vdekshëm,

nga biri i njeriut që është si bari?

13 E ke harruar Zotin, Krijuesin tënd,

që e shtriu qiellin dhe ethemeloi tokën,

e gjithnjë vazhdon të trembesh gjithë ditën

para zemërimit të atij që të mundonte

kur vendosi ta shuante farën!

Ku është tashti zemërimi i ndrydhësit?

Shpëtimi

14 I zëni rob shpejt do të çlirohet,

në burg s’do të vdesë,

buka kurrë s’do t’i mungojë.

15 Unë jam Zoti, Hyji yt,

që e tund detin,

e buçasin valët e tij;

Zoti i Ushtrive emri i tij!

16 Fjalët e mia në gojë t’i vura,

nën hije të dorës sime të fsheha

kur shtrija qiellin e themeloja tokën

e i thosha Sionit: “Ti je populli im!”

Zgjimi i Jerusalemit

17 Zgjohu, zgjohu,

ngrihu, Jerusalem,

ti që e pive prej dorës së Zotit

gotën e zemërimit të tij,

pive kupën e trullosjes,

e pive deri në fund!

18 Prej të gjithë bijve që ai lindi

s’është asnjë që ta ketë mbështetje;

prej të gjithë bijve që ai i rriti,

s’është asnjë që ta marrë për dore!

19 Dy të këqija të goditën

‑ kush do të ketë dhimbje për ty?

rrënim e shfarosje, uri e shpatë

‑ kush do të të ngushëllojë?

20 Bijtë e tu shtrihen të molisur

në krye të çdo udhe

si antilopa e zënë në lak,

të këputur nga zemërimi i Zotit,

nga kërcënimi i Hyjit tënd!

21 Dëgjo, pra, o i mjerë,

o i dehur, por jo me verë!

22 Kështu thotë Zotëruesi yt,

Zoti, Perëndia yt,

Mbrojtësi i popullit tënd:

“Ja, prej dorës po ta heq

kupën e trullosjes,

gotën e zemërimit tim:

ti kurrë më nuk do ta pish.

23 Përndjekësve të tu në dorë do t’ua vë,

atyre që ty të thonin:

“Bëju urë të kalojmë mbi ty!”,

urë ua bëje shpinën tënde,

porsi udhë për kalimtarë.”

Isaia: 52. Populli në robëri

52

1 Zgjohu, zgjohu,

ngjeshu me fuqinë tënde, Sion,

veshi petkat ku i ke më të bukurat,

Jerusalem, qyteti i shenjtë,

sepse nëpër ty kurrë më nuk do të kalojë

i parrethprerë e i papastër!

2 Shkunde pluhurin, ngrihu,

o Jerusalem i skllavëruar;

flaki vargonjtë e qafës sate,

e skllavëruara bijë e Sionit!

Populli në robëri

3 Po, kështu thotë Zotynë:

“Për asgjë ju qetë shitur,

pa parà edhe do të shpërbleheni!”

4 Sepse Zoti Hyj kështu thotë:

Populli im dikur pat zbritur

në Egjipt

për të banuar atje si i huaj;

pastaj asirianët pa arsye e ndrydhën rëndë.

5 E tashti ç’kërkoj unë këtu

‑ thotë Zoti ‑

kur mua populli më qe marrë kot?

Ulërijnë pushtuesit e tij

‑ përsërit Zoti ‑

e emri im gjithnjë vazhdon të blasfemohet.

6 Këndej atë ditë populli im

do ta njohë emrin tim

se jam unë ai që thotë:

“Këtu jam unë!”

Zgjimi i Zotit dhe i Jerusalemit

7 Sa të bukura janë mbi male

këmbët e kasnecit

që sjell sihariqin e paqes,

që sjell lajm të mirë,

që shpall shëlbimin,

që i thotë Sionit:

‘Perëndia jote mbretëron!’

8 Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin,

të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje

se me sytë e vet po shohin

se po kthehet Zoti në Sion!

9 Gëzohuni e galdoni së bashku,

rrënjat e Jerusalemit,

sepse Zoti po e ngushëllon

popullin e vet,

po e shpërblen Jerusalemin!

10 Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë

para syve të mbarë popujve,

të gjitha viset e tokës

do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

11 Dilni, dilni prej andej,

mos prekni gjë të papastër!

Dilni, dilni prej mesit të saj

e pastrohuni ju që mbartni enët e Zotit!

12 Sepse s’do të dilni duke shpejtuar

dhe s’do të nguteni si ata që ikin,

sepse Zoti do t’ju prijë

Hyji i Izraelit do t’ju mbajë të bashkuar.

Kënga e katërt për Shërbëtorin e Zotit

13 Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do t’i shkojnë punët,

do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm!

14 Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë

‑ kaq e shëmtuar ishte pamja e tij,

‑ fytyra e tij s’ishte më si e njeriut,

aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit ‑

15 po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura

turmat e popujve,

edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur,

sepse do të shohin atë për çka s’ka qenë treguar

e do të kuptojnë atë për çka s’kishin dëgjuar.

Isaia: 53. Varri

53

1 “Kush, pra, besoi në atë

që ne dëgjuam se u tha?

Kujt i qe zbuluar dora e Zotit?

2 Para Tij u rrit porsi pinjolli,

porsi rrënja nga toka e thatë.

S’kishte bukuri as hijeshi,

që të mund të vërenim në të,

as pashi që të mund të na pëlqente.

3 Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz,

njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje,

si ai, para të cilit mbulohet fytyra,

i përbuzur, këndej as s’e çmonin për gjësend!

4 E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona,

mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona!

E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar,

i munduar prej Hyjit e i nënçmuar!

5 Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona,

i ndrydhur për shkak të fajeve tona;

ndëshkimi, peng paqeje për ne,

peshoi mbi Të:

me vërragën e tij ne u shëruam.

6 Të gjithë ne endeshim si berrat e humbur,

secili udhën e vet ndiqte

e Zoti e ngarkoi mbi Të

paudhësinë e të gjithë neve.

7 I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet,

nuk e çeli gojën e vet;

porsi qengji që e çojnë për ta therur,

porsi delja e pazë para qethtarëve,

nuk e çeli gojën e vet.

8 E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq.

Kush kujdeset për fatin e tij?

Po, e zhdukën nga toka e të gjallëve,

për faj të popullit të vet

qe goditur për vdekje.

9 Varrin e tij e vunë me të patenzonët,

me pasanikët varri i tij,

megjithëse s’kishte bërë paudhësi

as gënjeshtër s’doli nga goja e tij.

10 Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje.

Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese,

do të shohë një trashëgimi motgjatë,

me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit.

11 Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij

do ta shohë dritën

e do të ngihet me njohjen e saj.

Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë,

mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.

12 Prandaj turmat do t’ia jap për shpërblim,

pre e tij do të jenë popuj të panumërt,

sepse e dorëzoi veten për vdekje

dhe qe numëruar ndër keqbërës

që mbi vete t’i marrë fajet e turmave

e lutet për ata që mëkatojnë.

Isaia: 54. Jerusalemi i ardhshëm

54

1 Galdo, beronjë, ti që nuk linde,

shpërthe në hare, gëzo, ti që fëmijë s’linde

sepse më të shumtë janë bijtë e të lënës

se të asaj që e ka burrin ‑ thotë Zoti.

2 Zgjeroje vendin e tendës sate,

shtrij pa kursim pëlhurat e banesës sate,

zgjati litarët e tu,

forcoji hunjtë e tu,

3 sepse do të shtrihesh djathtas e majtas,

fara jote do t’i marrë trashëgim popujt,

do t’i popullojnë qytetet e lëna shkretë.

Dashuria e Zotit

4 Mos ki frikë, sepse nuk do të jesh e turpëruar,

mos u skuq, sepse nuk do të jesh e çnderuar,

sepse do ta harrosh marren e rinisë sate,

më s’do ta kujtosh çnderimin e vejërisë.

5 Sepse Krijuesi yt do të jetë fati yt,

emri i tij është Zoti i Ushtrive;

Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit,

Ai quhet Hyji i mbarë tokës,

6 Sepse si një grua të lënë

që vuan në shpirt

të thirri Zoti:

‘Gruaja e vjetëve të rinisë

a mund të përbuzet?’

ka thënë Hyji yt.

7 Për pak kohë të lashë,

por po të rimarr me dashuri të madhe.

8 Në momentin e zemërimit

e fsheha pakëz prej teje fytyrën time,

por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty,

tha Zoti Shpërblyesi yt.

9 Tashti është për mua si në ditët e Noehit,

kur u përbetova se ujërat e Noehit

më nuk do të vërshojnë tokën,

po ashtu u përbetova

se më nuk do të të hidhërohem

e nuk do të të kërcënohem.

10 Malet mund të zhduken,

kodrat mund të tranden,

porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje

as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet,

thotë Zoti që pati mëshirë për ty.

Jerusalemi i ri

11 Varfanjakja ime, stuhish e rrahur,

e pa farë ngushëllimi,

ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull,

e themelet do t’i qes mbi safirë.

12 Pirgjet e tua prej jaspisit,

dyert e tua gurësh të paçmueshëm,

muret rrethuese të tuat gurë stolie!

13 Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit

e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu.

14 Do të jesh i themeluar në drejtësi,

larg do të jesh nga ndrydhja,

s’do të kesh pse të trembesh,

larg nga frika, sepse s’do të afrohet.

15 Shih! Nëse do të ndodhë ndonjë sulm,

s’do të jetë prej meje.

Kush të të sulmojë, para teje do të rrëzohet.

16 Shih! Unë e krijova farkëtarin

që fryn mbi prush

dhe prodhon vegla për punën e vet,

porse krijova edhe shkatërruesin për të shkatërruar.

17 S’do të ketë sukses asnjë armë

e farkuar kundër teje.

Do të dënohet çdo gjuhë

që do të ngrihet kundër teje në gjyq.

Ky është fati i shërbëtorëve të Zotit,

e tillë është drejtësia e tyre nga ana ime

‑ thotë Zoti.

Isaia: 55. Ushqimi i të vobektëve

55

1 O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët,

le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para!

Bleni drithë e hani;

ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht!

2 Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë

dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë?

Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë,

e do të shijoni ushqime të shijshme!

3 Ma vini veshin e ejani tek unë,

më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!

Besëlidhja

Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme,

po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.

4 Ja, atë e bëra dëshmitar për fise,

prijës e urdhërues për paganë.

5 Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje,

te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin,

për shkak të Zotit, Hyjit tënd,

të Shenjtit të Izraelit

që ty të madhëroi!

Afërsia e Zotit

6 Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet,

thirreni në ndihmë deri sa është afër!

7 Le ta lërë i patenzoni udhën e vet,

njeriu i keq synimet e veta,

le të kthehet te Zoti

e ai do të ketë mëshirë për të,

tek Hyji ynë që është bujar në falje.

8 Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia,

as udhët tuaja nuk janë udhët e mia

‑ thotë Zoti.

9 Sepse, sikurse qielli që është i lartë

në krahasim me tokën:

po ashtu edhe udhët e mia janë të larta

në krahasim me udhët tuaja

dhe mendimet e mia

në krahasim me mendimet tuaja!

Fuqia e fjalës së Zotit

10 Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli

e atje nuk kthehet,

por e ujit tokën, e zbrun

dhe i jep fuqi të blerojë,

i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim,

11 kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime,

s’do të kthehet tek unë pa fryt,

pa pasë kryer gjithçka më pëlqen

dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.

Përfundimi i librit

12 Po, me gëzim do të niseni

dhe në paqe do të përcilleni.

Malet e kodrat do të shpërthejnë në lavde para jush,

dhe të gjitha pemët e fushës do të duartrokasin.

13 Në vend të ferrave, do të rritet qiparisi,

në vend të hithrave, do të rritet mërsina.

Kjo do të jetë për nder të Zotit,

shenjë e përhershme që s’do të kalojë.

Isaia: 56. Zoti pranon të gjithë popujt

56

1 Kështu thotë Zoti:

“Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë,

sepse shëlbimi im është duke ardhur

e s’vonon të dëftohet drejtësia ime.”

2 I lumi ai që bën kështu,

biri i njeriut që i përmbahet kësaj,

që e mban të shtunën e nuk e çnderon,

që e ruan dorën e vet nga çdo vepër e keqe.

3 Biri i ardhacakut që iu mbështet Zotit

assesi të mos thotë:

“Patjetër Zoti do të më ndajë

nga populli i vet!”,

as eunukut të mos i shkojë në mend të thotë:

“Ja, unë s’jam tjetër, veçse një dru i thatë!”

4 Sepse kështu u thotë Zoti eunukëve:

“Ata që i mbajnë të shtunat e mia,

që zgjedhin të bëjnë çka mua më pëlqen,

që e zbatojnë besëlidhjen time,

5 do t’u jap në Shtëpinë time e në muret e mia

një vend e një emër më të mirë se të kishin bij e bija:

do t’u jap një emër të përhershëm

që kurrë s’do të mbarojë.

6 Kurse bijtë e ardhacakut,

që do t’i mbështeten Zotit

për ta adhuruar atë,

për t’ia dashur emrin Zotit,

për të qenë shërbëtorët e tij,

të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën

e nuk do ta çnderojnë,

që do ta mbajnë besëlidhjen time,

7 do t’i shpie në Malin tim të shenjtë

dhe do t’i gëzoj ata në Shtëpinë e lutjes sime:

flitë e shkrumbimit e theroret e tyre

do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim,

sepse Shtëpia ime do të quhet

Shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.”

8 Kështu thotë Zoti Hyj,

ai që i bashkon izralitët e shpërndarë:

“Rreth Izraelit do të mbledh edhe më shumë të tjerë

përveç atyre që tashmë janë mbledhur!”

Padenjësia e krerëve

9 Ju, o egërsirat e fushës,

ejani të gjitha për të ngrënë,

të gjitha ju, o egërsirat e pyllit,

10 sepse të gjitha rojet janë të verbëra,

të gjithë sa janë asgjë nuk dinë!

Të gjithë janë qen të pagojë,

që s’janë të zotë të lehin,

të pamendë, të shtrirë, që u pëlqen të flejnë,

11 e pra janë qen përlugëtues,

që s’dinë të ngihen.

E të tillë janë barinjtë!

Gjë vesh nuk marrin,

secili endet udhës së vet,

secili shikon vetëm interesin e vet,

prej më të madhit e deri te më i vogli!

12 “Ejani, do të sjell verë,

të pimë e të trullosemi,

edhe nesër do të jetë si sot,

madje edhe shumë më tepër!”

Isaia: 57. Vajtim kundër idhujtarisë

57

1 I drejti sharron

e askush s’shqetësohet;

njerëzit e mirë zhduken

e askush s’kujtohet

se i drejti zhduket

për shkak të së keqes.

2 Ai hyn në paqe;

pushon në shtrojën e vet

ai që ecën udhës së drejtë.

3 Afrohuni këtu, o bij të shortares,

bijtë e pushtit e të lavirës!

4 Kë mendoni të vini në shpoti?

Kujt ia ngërdheshni buzët e i qitni gjuhën?

Pse a s’jeni bami i mbrapshtë,

pjellë rrenacake?

5 Ju që ndizeni flakë ndër hala,

nën çdo lëndë të gjelbëruar

e i flijoni fëmijët në lugina,

në zgavrra qetash!

Vajtim kundër idhujtarisë

6 Pjesa jote është në krahinat e luginës,

ato janë shorti yt,

atyre ti u bëre flinë e njomjes,

therore u kushtove!

Vallë, a me to unë do të ngushëllohem?

7 Mbi mal të lartë, shumë të lartë,

e vendose shtratin tënd

dhe atje u ngjite fli të kushtosh.

8 Pas dere e pragu e vure

shenjën përkujtuese tënden,

sepse larg meje e zbulove,

re në shtrat dhe e hape shtratin tënd;

me to lidhe besëlidhje,

t’u pëlqye shtrati i tyre,

me to bëre lavirësi.

9 Hyre te mbreti me erëra të mira,

s’i kurseve erërat e mira;

larg i nise kasnecët e tu

e u përule deri në ferr.

10 Në një rrugë të tillë ti u lodhe e u këpute,

por nuk the: “Punë e kotë!”

I gjen fuqi ti dorës sate

e prandaj nuk u ligështove.

11 Për kë shqetësohesh e trembesh,

që të rresh e mua të më harrosh

dhe as ndër mend të mos të të bjerë për mua?

Vallë, pse heshta për kohë të gjatë,

ti nuk më trembesh?

12 Por unë do ta shpall “drejtësinë” tënde

e veprat e tua që gjë s’do të të ndihmojnë.

13 Kur të kushtrimosh, le të shpëtojnë idhujt e tu.

Por ata era do t’i marrë,

do t’i tresë një puhi e lehtë.

E ai që shpresën e ka në mua

do ta trashëgojë Tokën,

pronë do ta ketë Malin tim të shenjtë.

Kënga e ngushëllimit

14 Do të thuhet:

“Shtroni, shtroni, gati bëjeni udhën,

largoni pengesat nga udha e popullit tim!”

15 Sepse kështu thotë i Larti, i Tejetlarti,

që fronin e ka të amshueshëm,

e emrin e ka të shenjtë:

“Banoj në vend të lartë e të shenjtë,

por jam edhe me të ndrydhurin

dhe me atë që është i përvujtëruar në shpirt,

për t’i dhënë jetë shpirtit të të përvuajturve,

për t’i dhënë jetë zemrës së të ndrydhurve.

16 Sepse nuk dua vazhdimisht të grindem

as s’dua përgjithmonë të hidhërohem,

sepse para meje do të mbaronte fryma,

do të zhdukeshin qeniet e gjalla që i bëra.

17 Për shkak të horrjatisë së tij u zemërova,

e godita dhe e fsheha fytyrën time

dhe kundër tij u hidhërova,

e ai u end udhës së zemrës së vet.

18 I pashë udhët e tij,

por do ta shëroj e do ta kthej,

do ta ngushëlloj atë dhe ata që qajnë bashkë me të.

19 Do të vë fjalët e lavdit në buzët e tij.

Paqe, paqe për atë që është larg e afër,

thotë Zoti,

dhe do ta shëroj.”

20 Të paudhët janë porsi deti me valë

që nuk di të qetësohet,

valët e të cilit lym e baltë vjellin.

21 Thotë Hyji im:

“S’kanë paqe të paudhët!”

Isaia: 58. Agjërimi i pëlqyer prej Hyjit

58

1 Bërtit me zë të lartë e mos pusho,

porsi bori lartësoje zërin tënd!

Shpallja popullit tim fajet e tij,

shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

2 Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë

dhe dëshirojnë t’i njohin udhët e mia,

porsi populli që vepron drejtësinë

që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet.

Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë,

dëshirojnë të jenë afër Hyjit.

3 “Pse të agjërojmë, kur ti nuk na shikon,

pse ta përulim shpirtin tonë, nëse ti s’e di?”

Ja, në ditën e agjërimit tuaj ju gjeni punë

dhe i mbytni në punë të gjithë punëtorët tuaj.

4 Ja, ju njinoni për t’u fjalosur e grindur,

e rraheni me grushte si të patenzonë.

Mos agjëroni më si sot,

nëse doni të dëgjohet zëri juaj këtu lart.

5 Pse, a i tillë është agjërimi që unë zgjodha,

dita kur njeriu bën vetëmohim?

Të ulësh porsi zunkthi kokën tënde,

të shtrosh grathore edhe hi?

A thua këtë do ta quash agjërim

e ditë që i pëlqen Zotit?

6 Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha:

t’i këputësh verigat e padrejtësisë,

t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës,

t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit,

të copëtosh çdo zgjedhë?

7 A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin,

t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët?

Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe

dhe mos e përbuz farefisin tënd.

8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote,

shërimi yt do të vijë më shpejt;

para teje do të ecë drejtësia jote

e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë,

do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”

Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën,

gishtin paditës dhe fjalën e keqe,

10 nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit,

nëse do ta ngish të uriturin,

atëherë në errësirë do të shndritë drita jote,

terri yt do të jetë porsi mesdita.

11 E Zoti do të të prijë gjithmonë,

do të të ngijë në vende të thata.

Ai do t’i forcojë eshtrat e tu,

do të jesh porsi kopshti i ujitur,

porsi burimi i ujërave të gjalla

që kurrë s’i mungojnë ujërat.

12 Populli yt do t’i rindërtojë rrënojat e vjetra,

do t’i rindërtosh themelet e lëna brezni e brezni:

do të quhesh: “Rindërtues i rrënojave,

Ripërtëritës i rrugëve der’ në banim.”

E shtuna

13 Nëse do ta ruash këmbën të mos e shkelësh të shtunën,

dhe në ditën time të shenjtë nuk do të punosh,

nëse do ta çmosh për kënaqje të shtunën,

të ndershme ditën e shenjtë të Zotit,

do ta nderosh duke mos udhëtuar,

duke mos kryer punët e tua e marrëveshjet,

14 atëherë në Zotin do ta gjesh kënaqësinë tënde;

në karrocë do të të shëtis mbi malet e dheut,

do të bëj ta gëzosh pronën e atit tënd Jakobit,

sepse kështu foli goja e Zotit.

Isaia: 59. Psalmi pendestar

59

1 Jo, nuk u shkurtua dora e Zotit

që të mos mund të shpëtojë,

as s’është rënduar veshi i tij

që më të mos dëgjojë;

2 por mëkatet tuaja hapën një greminë

ndërmjet jush e ndërmjet Hyjit tuaj,

mëkatet tuaja ia zunë fytyrën

që ai juve të mos ju vështrojë.

3 Duart tuaja janë të zhytura në gjak,

gishtat tuaj plot fajësi;

buzët tuaja flasin rrena,

gjuha juaj bëlbëzon fajësi.

4 Askush padi s’bën me të drejtë,

s’gjendet ai që gjykon drejt;

besohet në asgjë e thuhet e shtrembëra,

ngjizën të keqen, lindën mjerimin.

5 Thyejnë vezë kapasrecash

e endin pëlhurë merimange;

kush ia ha vezën, vdes,

kush ta thyejë, prej saj lind kapastreci.

6 Pëlhura e tyre s’vlen për petk

s’mund të mbulohet me punëdoren e tyre;

veprat e tyre janë vepra paudhësie

fryti i dhunës është në dorën e tyre.

7 Këmbët e tyre vrapojnë të bëjnë të keqen,

nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm.

Mendimet e tyre janë mendime të këqija,

në udhët e tyre shkretim e ndrydhje.

8 Nuk e njohin udhën e paqes,

në hapa të tyre s’ka drejtësi.

I shtrembërojnë shtigjet e veta:

s’e njeh paqen, kush ec udhës së tyre.

9 Ja, pse e drejta rri larg nesh

dhe drejtësia s’arrin tek ne;

presim dritën dhe, ja, errësira,

ndriçimin e ecim në terr!

10 Ecim duke prekur si i verbëri murin,

si ata që sy s’kanë ecim me hamendje;

marrim në thua në mesditë, porsi në mug,

ndër të shëndoshë si të ishim të vdekur.

11 Të gjithë ulërijmë, porsi arinjtë,

gjëmojmë thekshëm, porsi pëllumbat.

Prisnim drejtësi, por më kot,

shpëtimin, por është larg nesh!

12 Po se fajet tona janë të shumta para teje,

mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh,

po, fajet tona bëjnë pjesë me ne,

i njohim mirë fajet tona:

13 mëkatuam e rrejtëm kundër Zotit,

u larguam prej Hyjit tonë,

lëvduam dhunën e shkeljen e urdhërimeve,

ngjizëm e murmuritëm në zemër tonë fjalë të rreme.

14 Kështu e drejta u hodh pas shpine,

drejtësisë i duhet të qëndrojë larg,

përplaset për tokë në kuvend e vërteta,

drejtësisë brenda s’i lamë vend.

Zoti në veprim

15 Besa erdhi e ra në harresë,

e ai që i ikën së keqes, bëhet pre.

E pa Zoti dhe iu duk keq

pse s’ka më të drejtë.

16 Pa se s’ishte askush,

u çudit pse askush s’ndërmjetësoi.

Por në ndihmë i erdhi krahu i tij,

e përkrahu e drejta e tij.

17 Për pancirë veshi drejtësinë,

në kokë e vuri përkrenaren e shpëtimit;

i veshi petkat e hakmarrjes,

u mbështoll me zell si me leshnik.

18 Do të paguajë gjithkënd sipas veprave:

me zemërim kundërshtarëve të vet,

me shpagim armiqve të vet

edhe ishujve do t’ua kthejë të keqen.

19 Ata të perëndimit, do ta druajnë emrin e Zotit,

edhe ata të lindjes së diellit, lavdinë e tij,

kur të vijë porsi përroi i rrëmbyeshëm

që e shtyt fryma e Zotit.

20 Por do të vijë Shpërblyesi i Sionit

edhe për ata bijtë e Jakobit

që kthehen prej paudhësisë,

‑ është fjala e Zotit.

Profeci

21 Sa për mua ‑ thotë Zoti ‑

ja besëlidhja ime me ta:

“Shpirti im që është mbi ty

e fjalët e mia që i vura në gojë tënde,

s’do të largohen nga goja jote,

as nga goja e farës sate,

as nga goja e farës së farës sate

‑ thotë Zoti ‑

që tani e deri në amshim.”

Isaia: 60. Ngjallje e ndritshme e Jerusalemit

60

1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote,

mbi ty po lind Lavdia e Zotit!

2 Sepse tokën po e mbulon terri

dhe një errësirë e madhe popujt,

kurse mbi ty, dritë bën Zoti

e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet!

3 Në dritën tënde, do të ecin popujt

edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.

4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko:

të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë.

bijtë e tu po vijnë prej së largu,

bijat e tua para duarsh po i sjellin.

5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë,

zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet,

sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti,

të mirat e popujve do të vijnë te ti.

6 Mori gamilesh do të të mbulojnë,

gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa.

Të gjithë do të vijnë nga Saba,

ar e kem do të sjellin

e do t’i këndojnë lavde Zotit.

7 Të gjitha grigjat e Cedarit, do të

grumbullohen për ty,

deshtë e Nabajotit, do të jenë në shërbim tënd;

do të ngjiten si fli e pëlqyeshme mbi lterin tim

dhe do ta lavdëroj Shtëpinë e Lavdisë sime.

8 Kush janë ata që po fluturojnë si retë,

porsi pëllumbat në çerdhet e veta?

9 Janë ishujt që më presin,

në krye me anije të Tarsit,

për t’i sjellë bijtë e tu prej së largu

e bashkë me ta, argjendin e arin e tyre,

në nder të emrit të Zotit tënd, Hyj,

në nder të Shenjtit të Izraelit që të lavdëroi.

10 Të huajt do t’i ndërtojnë muret e tua,

mbretërit e tyre do të jenë shërbëtorët e tu.

Në zemërimin tim unë të pata goditur,

por në mirësinë time pata mëshirë për ty.

11 Të hapura do të jenë vazhdimisht dyert e tua,

jo, nuk do të mbyllen ditë as natë,

që të shtiehet te ti pasuria e popujve

e të sillen mbretërit e tyre.

12 Popujt e mbretëritë që s’do të të shërbejnë ty,

do të sharrojnë, plotësisht do të zhduken.

13 Te ti do të vijë nderi i Libanit,

qiparis, vidh e bredh së bashku,

për ta stolisur vendin e Shenjtërores sime,

po, të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët!

14 Te ti do të vijnë kokulur bijtë e atyre

që të kanë përvujtëruar,

përmbys do të bien para këmbëve të tua

të gjithë ata që të përbuznin

dhe do të të quajnë Qyteti i Zotit,

Sioni i Shenjtit të Izraelit.

15 Pasi qe lënë shkretë dhe e urryer

e askush nëpër ty s’kalonte,

unë do të të bëj krenarinë e shekujve,

gëzimin e breznive të breznive.

16 E ti do pish qumështin e popujve,

do të gëzosh pasurinë e mbretërve

dhe do ta dish se unë jam Zoti, Shpëtimtari yt,

Shpërblyesi yt, i Pamposhturi i Jakobit!

17 Në vend të bronzit, do të sjell ar,

në vend të hekurit, argjend,

në vend të druve, bronz

e në vend të gurëve, hekur.

Paqen do ta vë rojtarin tënd

e Drejtësinë kryetarin tënd.

18 Më s’do të flitet për dhunë në vendin tënd,

as shkretim e ndrydhje në kufijtë e tu;

“Shpëtim” do t’i quash muret e tua

e “Lavdi” dyert e tua!

19 Më s’do të jetë dielli ai që do të ndriçojë ditën,

as drita e hënës nuk do të të shndritë natën,

por do të jetë Zoti, drita jote e përhershme,

dhe Hyji yt do të jetë shkëlqimi yt!

20 S’do të perëndojë më dielli yt,

as hëna më s’do të errësohet,

sepse Zoti do të jetë për ty dritë e amshueshme

dhe fund do të marrin ditët e zisë sate.

21 Populli yt do të jetë popull të të drejtësh,

për amshim do ta trashëgojnë Vendin,

pinjollë prej meje të mbjella,

vepër e duarve të mia

për ta dëftuar lavdinë time.

22 Prej më të voglit do të shtohen një mijë,

prej të pakëtit një popull i fortë.

Unë Zoti, në kohën e duhur,

do të nxitoj ta bëj këtë.

Isaia: 61. Thirrja e profetit

61

1 Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua,

sepse Zoti më shuguroi,

më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme,

t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur,

t’u shpall skllevërve lirinë,

të burgosurve, çlirimin;

2 të shpall vitin e hirit të Zotit

dhe ditën e hakmarrjes së Hyjit tonë,

t’i ngushëlloj të gjithë ata që qajnë,

3 t’ua vë të mjerëve të Sionit

e t’ua jap kezën në vend të hirit,

vajin e gëzimit në vend të zisë,

këngën e lavdit në vend të zemrës së trishtuar.

Do të quhen “Lisat e drejtësisë,

mbëltesë e Zotit për të dëftuar lavdinë.”

4 Ata do t’i rindërtojnë rrënimet e vjetra,

do t’i ngrejnë rrënojat e moçme,

do t’i përtërijnë qytetet e lëna shkret,

të shkretuara brezni pas breznie.

5 Të huajt do të vijnë për t’ua kullotur grigjat,

bujq e vreshtarë tuaj do të jenë

njerëz nga kahmos të ardhur,

6 kurse ju do të quheni “Priftërinjtë e Zotit”,

ju do t’ju emërtojnë Shërbëtorët e Hyjit tonë”.

Do t’i gëzoni të mirat e popujve

e do të krenoheni me pasurinë e tyre.

7 Për turpin e tyre të dyfishtë e për poshtërim,

lavde do t’i këndojnë pjesës së vet;

këndej në vendin e vet dy herë aq do të marrin

e do të kenë gëzim të përhershëm.

8 Sepse unë jam Zoti që e dua të drejtën,

që e urrej cubninë dhe paudhësinë,

do t’u jap shpërblimin e vërtetë,

me ta besëlidhje do të bëj të përhershme.

9 Fara e tyre e njohur do të jetë ndër popuj,

e ndër kombe pasardhësit e tyre.

Kush t’i shohë, do t’i çmojë,

sepse janë fara që e ka bekuar Zoti.

10 Me gëzim të madh gëzohem në Zotin,

shpirti im galdon në Hyjin tim,

sepse më veshi me petkat e gëzimit,

ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë,

porsi dhëndër të stolisur me kezë,

porsi nuse me argjendari e stolisur.

11 Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi,

porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij,

kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia

edhe lavdi në sy të të gjithë popujve.

Isaia: 62. Kënga e dytë mbi ngjalljen e Jerusalemit

62

1 Për shkak të Sionit unë nuk do të hesht,

për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim

derisa drejtësia e tij të dalë porsi drita,

e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba!

2 Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde,

të gjithë mbretërit lavdinë tënde;

do të quhesh me një emër të ri,

që do ta caktojë goja e Zotit.

3 Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit,

kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd.

4 Nuk do të quhesh më “E lëna”,

toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”,

por do të quhesh “Kënaqësia ime”

e toka jote “E martuara”,

sepse ti i pëlqeve Zotit

e toka jote do të jetë e martuar.

5 E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën,

kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt

sikurse dhëndri që i gëzohet nuses,

kështu do të gëzohet ty Hyji yt.

6 Mbi muret e tua, o Jerusalem,

i kam vënë rojtarët;

as ditën as natën,

kurrë s’duhet të heshtin:

O ju, që Zotit ia përkujtoni premtimet,

vetë mos pushoni

7 e as Atë mos e lini të qetë

derisa ta përtërijë Jerusalemin,

ta ketë bërë Nderin e botës.

8 U përbe Zoti në të djathtën e vet

e në fuqinë e krahut të vet:

“Drithin tënd kurrë më s’ua dhashë

për ushqim armiqve të tu,

kurrë më të huajt s’do ta pinë verën

që e prodhove me djersën tënde!

9 Le ta hanë ata që e korrën

e të lavdojnë Zotin;

ata që e volën le ta pinë

në paraderën e Shenjtërores sime!”

Përfundimi

10 Kaloni, kaloni nëpër derë,

bëjini udhë popullit!

Shtroni, shtroni rrugën,

herrni gurët,

valëvitni para popujve flamurin!

11 Ja, çka Zoti bën të dëgjohet

deri në skajet e tokës:

“Thuajini bijës së Sionit:

Ja, po vjen shpëtimtari yt,

ja, me vete e ka shpërblimin

e dhurata e tij përpara tij.

12 Do t’i quajnë “Popull i shenjtë”

“Të shpërblyerit e Zotit”,

kurse ti do të quhesh: “I kërkuari”,

‑ Qytet i palëshuar!”

Isaia: 63. Këngë apokaliptike

63

1 “Kush është ai që po vjen nga Edomi,

nga Bosra me petka me ngjyrë të kuqe?

Ai që, i madhërishëm në petkun e vet,

pash e më pash po afrohet,

vigan plot fuqi?”

‑ “Jam unë që ushtroj drejtësinë,

që kam fuqi të shpëtoj!”

2 ‑ “Pse, atëherë, i kuq është petku yt,

e petkat e tua si të atij

që shtrydh rrush në tinar?”

3 ‑ “Vetëm rrush shtrydha në tinar,

ndër popuj e askush nuk qe me mua.

I shkelmova në zemërimit tim,

i shtrydha në zemërimin tim.

Gjaku i tyre m’i stërpiku petkat

e i njollosa rrobat e mia.

4 Sepse në zemër e kisha ditën e hakmarrjes,

erdhi viti i shpagimit tim!

5 Shikova rreth: asnjë ndihmëtar!

U habita: asnjë përkrahës!

Atëherë: krahu im ndihmë m’u bë,

më përkrahu zemërimi im!

6 Në zemërimin tim i zhduka popujt,

dhe i shkela në zemërimin tim,

në tokë e derdha gjakun e tyre!”

Psalmi

7 Do t’i përkujtoj të mirat e Zotit,

lavditë e Zotit,

të mirat e shumta që i bëri për ne Zoti,

të mirat e panumërta që ia bëri shtëpisë së Izraelit,

që na i dhuroi sipas mëshirës së vet,

sipas dashurisë së vet të pamasë.

8 Ai tha: “Vërtet janë populli im,

bij që nuk gënjejnë. ”,

dhe u bë për ta Shëlbues

9 në të gjitha vështirësitë e tyre.

Jo një i dërguar ose një engjëll,

por Ai vetë i ka shëlbuar:

në dashurinë e vet e në dhembshurinë e vet

Ai vetë i shpëtoi,

i mori dhe i mbarti

në të gjitha ditët e së kaluarës.

10 Por ata e bënë të hidhërohet

dhe trishtuan Shpirtin e shenjtërisë së tij,

këndej edhe u bë armiku i tyre,

kundër tyre Ai vetë ra në luftë.

11 Atëherë popullit i ranë ndër mend ditët e kaluara,

Moisiu dhe populli i tij.

“Ku është Ai që i nxori nga deti

bashkë me bariun e grigjës së vet?

Ku është Ai që e vuri mes tyre

Shpirtin e shenjtërisë së vet?

12 Ai që ia shtiu të djathtës së Moisiut

krahun e madhërisë së vet?

Ai që i ndau ujërat

për të fituar një emër të përhershëm?

13 Ai që i kaloi fundit të humnerës

porsi kalin nëpër shkretëtirë

e në thua s’morën?

14 Porsi bagëtitë që zbresin në luginë,

Shpirti i Zotit i çonte drejt pushimit.

Kështu ti i prive popullit tënd

dhe fitove emër të lavdishëm.

15 Shiko nga qielli e shih,

nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdisë sate;

ku është zilia e fuqia jote?

Dhembshuria e mëshira jote

po më rrinë larg.

16 Sepse ti je Ati ynë!

Abrahami ne s’na njeh,

Izraelit s’i kujtohemi;

por ti, o Zot, je Ati ynë,

Shpëtimtari ynë:

i amshueshëm është Emri yt.

17 Pse na bën të endemi, o Zot,

larg prej udhëve të tua,

pse na e ngurove zemrën që të mos të druam?

Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu,

për dashuri të fiseve të pronës sate!

18 Pas pak kohe që populli yt i shenjtë

hyri në trashëgimin e vet,

armiqtë tanë e shkelën Shenjtëroren tënde.

19 U bëmë tani një kohë të gjatë

si ata, mbi të cilët ti nuk sundon,

nga ata, mbi të cilët s’u thirr emri yt.

Ah, sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje,

para fytyrës sate malet do të dridheshin,

Isaia: 64. zjarri që i djeg krandet

64

1 sikurse zjarri që i djeg krandet,

dhe ujin e bën të vlojë ‑

që armiqtë e tu t’i bësh

ta njohin emrin tënd.

Para fytyrës sate paganët do të dridhen

2 kur të bësh mrekulli

që ne nuk i shpresonim.

Ti zbrite e para Fytyrës sate

malet u dridhën!

3 Qëkur ka zënë jeta fill nuk u ndie,

kurrë me veshë nuk u dëgjua,

askurrë syri nuk e pa,

që një Zot, përveç Teje,

të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë

për ata që shpresojnë në të.

4 U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën,

edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë.

Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam;

në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim.

5 Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastërti,

si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona,

të gjithë u vyshkëm porsi gjethi,

të këqijat tona na tresin si era.

6 S’është asnjë që e thërret emrin tënd,

që të zgjohet e të mbështetet në ty,

sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde

dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë.

7 Megjithatë, ati ynë je, ti o Zot,

jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë,

të gjithë jemi vepër e duarve të tua.

8 Deh për së tepërmi, Zot, mos u zemëro,

mëkatet më mos i kujto!

Ja, na shiko: të gjithë jemi populli yt!

9 Shkretë kanë mbetur qytetet e tua të shenjta,

Sioni mbeti i shkretë,

u shkatërrua Jerusalemi!

10 Tempulli ynë i shenjtë e i bukur,

ku të lëvdonin etërit tanë,

kafshatë u bë e zjarrit,

Ç’patëm të çmueshme, gjithçka u shkatërrua!

11 Edhe pas të gjitha këtyre, ti o Zot, a do të përmbahesh,

a do të heshtësh, deri në fund a do të na mundosh?!

Isaia: 65. Gëzimi i shërbëtorëve të Hyjit e vuajtja e keqbërësve

65

1 Më kërkuan ata që nuk më këshillonin,

u gjeta prej atyre që nuk më kërkonin.

Thosha: ‘Këtu jam! Këtu jam!’,

popullit që nuk e thirrte emrin tim.

2 Vazhdimisht ia shtrija duart e mia

popullit kryengritës

që ecën udhës jo të mirë

pas synimeve të veta,

3 një popull që më ngacmon të hidhërohem,

gjithmonë ndër sy,

të cilët flijojnë në kopshte,

kem djegin mbi tulla;

4 që banojnë në varreza,

kalojnë natën në vende të fshehta,

hanë mishin e derrit

e në pjatat e tyre ushqime të irituara!

5 E për më tepër thonë: ‘Largohu!

Mos m’u afro, sepse do të të shenjtroja!’

Të tillët tym janë në hundët e mia,

zjarr që gjithë ditën digjet.

6 Shih! Të gjitha janë të shkruara para meje,

s’do të hesht derisa të hakmerrem,

t’ua paguaj në sqetullën e tyre,

7 Fajet tuaja e të etërve tuaj

të gjithëve së bashku ‑ është fjala e Zotit!

Atyre që flijuan kem në male,

atyre që më ngacmuan në kodra,

do t’ua mas në prehrin e tyre

pagën për vepra të mëparshme.

8 Kështu thotë Zoti:

“Sikurse në ndonjë vile kur gjendet lëng,

thuhet: ‘Mos e prish,

sepse në të është bekimi’“,

kështu edhe vetë do të veproj

për dashuri ndaj shërbëtorëve të mi,

s’do të zhduk gjithçka.

9 Do të bëj të rrjedhë prej Jakobit pasardhësi,

pronari i maleve të mia prej Judës;

të zgjedhurit e mi do t’i trashëgojnë,

shërbëtorët e mi, aty do të banojnë.

10 Kullotë grigjash do të bëhet Saroni,

mriz për gjedh lugina e Ahorit ‑

për popullin tim që do të më kërkojë.

11 Kurse ju, që e lini Zotin,

që e harroni Malin tim të shenjtë,

që gati i bëni tryezën Gadit,

që Meniut ia mbushni kupën,

12 të numëruar jeni të gjithë për shpatë,

në gjunj do të bini për të qenë prerë!

Sepse ju thirra e s’u përgjigjët,

unë fola e ju s’dëgjuat,

por bëtë të keqen ndër sy të mi,

zgjodhët atë që mua s’më pëlqen!”

13 Prandaj Zoti Hyj thotë kështu:

“Ja shërbëtorët e mi do të hanë,

kurse ju do keni uri;

ja, shërbëtorët e mi do të pinë,

kurse ju do të keni etje;

ja, shërbëtorët e mi do të gëzohen,

kurse ju do të turpëroheni;

14 ja, shërbëtorët e mi do të këndojnë

në harenë e zemrës së vet,

kurse ju do të bërtisni prej dhimbjes së zemrës,

do të ulëritni me shpirt të copëtuar!

15 Emrin tuaj do ta lini

nëmë për të zgjedhurit e mi:

‘Të vraftë Zoti Hyj!’,

ndërsa shërbëtorët e vet ai

do t’i thërrasë me një emër tjetër.

16 Kush do të jetë i bekuar mbi tokë,

le të bekohet me ‘Hyjin Amen’,

e kush do të përbehet mbi tokë,

le të përbehet me ‘Hyjin Amen!’,

e njëmend, të vështirat e shkuara do të harrohen,

do të fshihen, prej syve të mi.

17 Sepse, ja, unë po krijoj,

qiell të ri e tokë te re,

të kaluarat s’do të kujtohen,

më ndër mend nuk do të bien.

18 Por do të gëzohet e do të galdohet

përgjithmonë

në ato që unë po krijoj:

Jerusalemin do ta bëj gëzim,

popullin e tij do ta bëj hare.

19 Do të galdoj mbi Jerusalem,

do të kënaqem me popullin tim.

Në të më nuk do të dëgjohet

zë vajtimi as zë dënesjeje.

20 Aty më s’do të ketë foshnjë që rron pak ditë,

as plak që të mos ia arrijë moshës së vet,

sepse djalosh do të mbahet

kush të vdesë njëqind vjeç,

e ai që s’i mbush njëqind vjet,

do të mbahet për njeri të mallkuar.

21 Do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to,

do të mbëltojnë vreshta e do t’i hanë frytet e tyre.

22 S’do të ndërtojnë që të tjerët të banojnë,

s’do të mbëltojnë që të tjerët të hanë:

sepse, jeta e popullit tim do të jetë

e gjatë porsi jeta e pemëve,

për kohë të gjatë të zgjedhurit e mi

do të gëzojnë frytet e duarve të veta.

23 Mundi kot nuk do t’u shkojë,

as s’do të lindin për të vdekur shpejt,

bam do të jenë të bekuarish të Zotit,

bashkë me ta nipat e tyre.

24 Madje edhe më parë se të më thërrasin,

unë atyre do t’u përgjigjem,

ndërsa ata ende të flasin,

unë ata do t’i vështroj!

25 Ujk e qengj bashkë do të kullosin,

luani do të hajë kashtë si gjedhi;

kurse gjarpri do të hajë pluhur.

S’do të bëjnë dëm as nuk do të vrasin

mbi mbarë Malin tim të shenjtë ‑

është fjala e Zotit.

Isaia: 66. Profeci

66

1 Kështu thotë Zoti:

“Qielli është froni im,

shtroja e këmbëve të mia toka!

Ç’vlerë ka shtëpia që do të ma ndërtoni,

e cili është vendi i banimit tim?

2 Të gjitha këto i bëri dora ime

e të gjitha këto më përkasin mua ‑

është fjala e Zotit.

Por mbi këtë e ngul shikimin tim:

mbi varfanjakun e mbi zemërplasurin

që dridhet prej fjalëve të mia!

Kundër flijimit të gabuar

3 Flijon kaun e pastaj vret njeriun! Kushton delen e i këput arrçin qenit!

Paraqet flinë e pastaj gjakun e derrit!

Djeg kemin e adhuron idhullin!

Sikurse ata që i zgjodhën udhët e veta,

dhe shpirti u kënaqet në iritë e tyre,

4 kështu edhe vetë do të zgjedh për ta

të zezën e tyre e do të bëj të bien mbi ta

pikërisht ato që u sillnin tmerr.

Unë fola e ata s’dëgjuan,

bënë të keqen ndër sy të mi,

zgjodhën atë që nuk më pëlqen.”

 

Këngë apokaliptike

5 Dëgjojeni fjalën e Zotit,

ju që dridheni prej fjalës së tij!

Thonë vëllezërit tuaj që ju urrejnë,

që ju përbuzin për shkak të emrit tim:

‘Le ta dëftojë Zoti lavdinë e vet

që ta shohin gëzimin tuaj!’

Të turpëruar ata do të mbesin!

6 Një zë zhurme vjen nga Qyteti,

një zë nga Tempulli!

Është zëri i Zotit

që hakmerret mbi armiqtë e vet!

7 Para se të sprovojë dhimbjet, lindi,

para kohës së të lindurit,

lindi djalin!

8 Kush e dëgjoi një punë të tillë?

Kush e pa një gjë të tillë?

A thua lind një vend

në një ditë të vetme?

A thua lind një popull

në një çast të vetëm?

E pra, Sioni, posa i ndjeu dhimbjet,

i lindi bijtë!

9 Vallë, a do ta hapja udhën e jetës

e s’do të bëja që edhe të lindë?

‑ thotë Zoti.

Ose unë që bëj të lindë,

do ta mbyllja udhën e jetës?

‑ thotë Hyji yt.

10 Gëzohuni me Jerusalemin,

galdoni për të ju që e doni!

Galdoni me të, galdoni,

të gjithë ju që qatë mbi të,

11 që të thithni qumësht e të ngiheni

prej parzmave të ngushëllimit të tij,

që të dërgoni e të kënaqeni

në parzmat e lavdisë së tij!

12 Sepse Zoti kështu po thotë:

“Ja, unë po bëj të arrijë

në të paqja porsi lumë,

porsi përrua vërshues pasuria e popujve

Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni,

përmbi gjunjë do t’ju përkëdhelin.

13 Porsi nëna që ngushëllon të birin,

ashtu unë do t’ju ngushëlloj;

në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.

14 Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë,

si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat,

dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij

e zemërimi i tij mbi armiqtë e tij.

15 Se, ja, Zoti po vjen me zjarr,

qerret e tij të luftës janë si stuhia,

për ta shfryrë me hidhërim zemërimin

kërcënimin e vet me flakë zjarri.

16 Sepse me zjarr Zoti do të gjykojë

e me shpatë çdo njeri;

shumë do të jenë të goditurit prej Zotit.

Kundër mistereve pagane

17 Ata që shenjtërohen e pastrohen,

për të hyrë në kopshte pas njërit që qëndron në mes,

ata që hanë mishin e derrit,

ushqime të iritshme e minj,

të gjithë së bashku do të sharrojnë

‑ është fjala e Zotit.

Fjalim eskatologjik

18 E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. 19 Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan ‑ në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time ‑ dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. 20 Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit ‑ në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në Malin tim të shenjtë, në Jerusalem ‑ thotë Zoti ‑ po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. 21 Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë ‑ thotë Zoti.

22 Po, sikurse qielli i ri

e toka e re, që po i krijoj,

do të qëndrojnë gjithmonë përpara meje,

‑ është fjala e Zotit ‑

kështu do të qëndrojë edhe fara juaj e emri juaj!

23 E do të ndodhë që

prej hënës së re e në hënë të re,

prej të shtunës e në të shtunë

çdo njeri do të vijë të adhurojë

përpara meje ‑ është fjala e Zotit.

24 E kur të dalin do të shikojnë kufoma njerëzish

që u çuan kundër meje:

krimbi i tyre nuk do të ngordhë

zjarri i tyre nuk do të fiket,

e do të jenë një bezdi për çdo njeri.”